VOAL

VOAL

Plani i kryeministrit slloven për kufijtë e Ballkanit, reagon Tanja Fajon: Të jepet një pozicion i qartë i Sllovenisë sa më shpejt të jetë e mundur

Eurodeputetja nga Sllovenia, Tanja Fajon, ka reaguar ndaj lajmeve se kryeministri slloven Janez Janša ka paraqitur një “non-paper” me planet e tij për riorganizimin e Ballkanit.

Siç kanë raportuar mediat, “zgjidhje” titullohet paragrafi i një “non-paper” që kryeministri slloven Janez Janša u dorëzoi disa personave të përzgjedhur në BE disa muaj më parë.

Dhe lidhur me këtë, Fajon ka shkruar se pavarësisht nëse është një dokument i krijuar në Slloveni apo jo, dëmi që u krijua për këtë vend është tashmë shumë i madh.

Sipas saj, mënyra e vetme për paqe, bashkëpunim dhe bashkëjetesë të vendeve dhe kombeve në Ballkanin Perëndimor është perspektiva e tyre e qartë evropiane.

“Ekziston një perceptim i rrezikshëm i politikës për Ballkanin Perëndimor në lidhje me Slloveninë, e cila kërcënon seriozisht besueshmërinë dhe suksesin e Këshillit tonë të BE-së. Pavarësisht nëse është një dokument i krijuar në Slloveni apo jo, dëmi që u krijua për vendin tonë është tashmë shumë i madh. Është e nevojshme që të jepet një pozicion i qartë i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor sa më shpejt të jetë e mundur, veçanërisht për BeH para se të humbasim një mundësi të jashtëzakonshme për të rivendosur besimin midis BE, Sllovenisë dhe rajonit, si dhe njerëzve në rajon me hapa konkretë për të hedhur një shpresë të re në një perspektivë të qartë evropiane. Nga konferenca e sotme për shtyp ku prezantova qëndrimin tim për zgjerimin e BE-së. Mënyra e vetme për paqe, bashkëpunim dhe bashkëjetesë të vendeve dhe kombeve në Ballkanin Perëndimor është perspektiva e tyre e qartë evropiane”, shkruan Fajon.

Politikani serb shokon mediat e Beogradit, e pranon se Kosova s’është Serbi

Politikani serb dhe kryetari i partisë socialiste serbe, LSV, Nenad Çanak, ka thënë se Kosova s’është pjesë e Serbisë.

Duke kritikuar opozitën, ai u tha atyre të përpiqen të vijnë në Kosova dhe ta shohin se sa është pjesë e Serbisë, deklaratë kjo që u cilësua si shokuese nga mediat serbe, përfshirë gazetën serbe, Kurir, transmeton Gazeta Express.

 

“Si mund të mos jepni diçka që nuk është e juaja edhe ashtu? Nëse Kosova është Serbi, përpiquni të shkoni në Kosovë dhe do të shihni se sa është pjesë e Serbisë”, tha Çanak.

Ai tha se “opozita e bojkotit” po e sulmon atë sepse ai ka një politikë të qartë për 30 vjet.

“Boris Tadiq është shoku im dhe një njeri me të cilin kurrë nuk kam rënë dakord për një numër gjërash dhe ai i di shumë mirë ato. Por meqenëse premtova të mbaj shumicën në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Serbisë, në mënyrë që të njëjtit njerëz që janë tani në pushtet të mos vijnë, ne, me pesë deputetë që ishin vendimtar për ruajtjen e shumicës parlamentare, pa asnjë vend në qeveri, ishin në një pozicion për katër vjet dhe unë nuk mund të përfshihem as në komisionet parlamentare. Ne e shpëtuam atë”, tha Çanak.

Ai shtoi se roli i bojkotuesve është të shpikin se ata do të zgjidhin problemin e Kosovës “sepse ata nuk do të heqin dorë nga ajo”.

Pamje e rëndë pas ekzekutimit të gazetarit grek, kush janë dy dëshmitarët kyç të ngjarjes

Policia greke po fokusohet në dëshminë e dy dëshmitarëve, për të hedhur dritë mbi vrasjen e gazetarit Jorgos Karaivaz.

Ky i fundit u gjet dje i pajetë pranë banesës së tij në Alimos, ku u ekzekutua me 6 plumba. Hetuesit në Greqi mësohet se po këqyrin po ashtu kamerat në vendngjarje.

Po ashtu, kryeministri Kyriakos Mitsotakis i ka kërkuar Ministrit të Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrysochoidis, nisjen e një hetimi të shpejtë mbi çështjen. Madje, lidhur me ngjarjen që tronditi dje Athinën pritet të ketë edhe një takim në Pallatin Maksimos, mes kreut të qeverisë dhe ministrit në fjalë.

Kamerat e sigurisë dhe ato të monitorimit të trafikut rrugor, mund ti ndihmojnë oficerët e sigurisë që të ndërtojnë rrugën që kanë ndjekur vrasësit. Po ashtu po këqyren edhe kompjuterët dhe celularët e viktimës, për të parë bisedat e tij të fundit dhe nëse ka marrë mesazhe kërcënuese.

Dyshohet se vrasësit e kanë monitoruar prej ditësh gazetarin e ndjerë, duke zbuluar lëvizjet e tij. Gazetari nuk i kishte rrëfyer asnjërit prej të afërmeve apo kolegëve të tij se ka marrë kërcënime apo se i rrezikohej jeta, po ashtu ai nuk mbante armë dhe nuk kishte kërkuar mbrojtje policore.

Policia po i kushton vëmendje të veçantë katër dëshmive, dy prej të cilave vlerësohen si shumë të rëndësishme, pasi këta persona ndodheshin fare pranë ekzekutimit dhe panë skenën e vrasjes. Sipas raportimeve paraprake reporteri i kronikës së zezë Jorgos Karaivaz, u qëllua me 6 plumba në trup ndërsa po kthehej nga puna në shtëpi, rreth orës 14:00. 12 gëzhoja që dyshohet të jenë zbrazur nga një armë me silenciator u gjetën në vendngjarje.

Dy dëshmitarët kyç thanë se autorët po lëviznin me një motoçikletë të vogël, me gjasë scooter, me të cilin ia mbathën, duke e lënë të pajetë reporterin pranë makinës së tij.

Vrasja u dënua edhe nga Komisioneri Evropian dhe komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut. “Vrasja e një gazetari është një veprim për tu përbuzur dhe frikacak”, do të shkruante të premten shefja e Komisionit Ursula von der Leyen.

Ursula von der Leyen: Vrasja e gazetarit George Karaivaz është një veprim i përbuzshëm prej frikacakësh

Dy njerëz të armatosur në motoçikletë vranë të premten një gazetar të njohur grek pranë shtëpisë së tij në Athinë, njoftoi policia.

George Karaivaz, një gazetar karriere i televizionit privat STAR TV, ishte i njohur në audiencën greke për mbulimin e ngjarjeve që lidheshin me rendin dhe me policinë.

Ende nuk ka njoftime rreth një motivi të mundshëm për vrasjen, por policia tha se vrasja ishte planifikuar me kujdes.

“Vrasja e një gazetari është një veprim i përbuzshëm prej frikacakësh,” tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një koment në Twitter.

“Evropa është për lirinë. Dhe liria e shtypit është ndoshta më e shenjta nga të gjitha,” tha ajo.

Policia tha se gazetari u vra të premten pasdite nga dy njerëz në motoçikletë, të cilët qëlluan me breshëri plumbash afër shtëpisë së tij në Alimos, në jug të Athinës. Të paktën 12 gëzhoja u mblodhën nga vendi i ngjarjes, tha një zyrtar i policisë.

“Ishte një atentat profesional,” tha zyrtari i policisë, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të bënte deklarata për median.

Zëdhënësja e qeverisë greke Aristotelia Peloni tha se vrasja “na tronditi të gjithëve”.

“Autoritetet po hetojnë për të arrestuar autorët dhe për t’i sjellë para drejtësisë,” tha ajo. VOA

Vuçiqi mohon gjenocidin serb në Kosovë: S’dua ta fyej ambasadorin Schieb, ai tha çfarë mendon Gjermania

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka folur sot rreth deklaratës së ambasadorit gjerman në Beograd, se bombardimi i Jugosllavisë ka qenë i nevojshëm për të parandaluar gjenocidin serb në Kosovë

Vuçiq ka thënë se shpjegimin e njëjtë për bombardimin e kanë të gjitha 19 shtetet të cilat kanë participuar në ndërhyrjen ushtarake.

 

Derisa ka thënë se është i bindur që s’ka pasur qëllime për gjenocid dhe se sipas Vuçiqit askush s’ka arritur ta provojë që ka pasur përpjekje për gjenocid, shkruan Kosovo Online, transmeton Gazeta Express.

Kreu i shtetit serb tutje ka thënë se për atë çfarë ka ndodhur në vitin 1999 të gjithë kanë pikëpamje të ndryshme.

“Të gjitha 19 shtetet që morën pjesë në bombardime kanë të njëjtin shpjegim. Ambasadori Schieb s’ka thënë diçka ndryshe. Unë e njoh atë si njeri që ka sjellë investime këtu dhe që e do Serbinë”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se Schieb në ato momente është dashur të përgjigjej në vijë me politikën gjermane.

“Nuk më shkon mendja ta fyej personalisht, sepse ai nuk e meriton”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb tutje theksoi se ndonjëherë është mirë të dëgjohen deklarata të tilla, sepse mund të shihet se çfarë mendojnë në të vërtetë ata që morën pjesë në bombardime për gjithçka që ka ndodhur.

“Është detyra jonë të përgjigjemi dhe të themi se nuk është e vërtetë, t’i shohim gjërat ndryshe. Ne duhet të punojmë dhe të bashkëpunojmë me Gjermaninë, e cila është partneri kryesor tregtar i Serbisë. Nuk është vetëm çështja e parave, por edhe e ndryshimit në vend. Është detyra jonë të themi me çfarë pajtohemi dhe çfarë jo, ne mbrojmë me krenari pozicionin tonë, por gjithashtu të kërkojmë të ruajmë integritetin e atyre që janë miq, e jo të bëjmë armiq të atyre që janë miqtë tanë “, përfundoi Vuçiq.

Slloveni, regjistrohet mëngjesi më i ftohtë i prillit ndonjëherë

Lubjanë

Në jug të Sllovenisë në mëngjes u regjistruan temperatura minus 20 gradë Celsius që është mëngjesi më i ftohtë i prillit i regjistruar ndonjëherë në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Temperatura më e ulët u regjistrua në Nova Vas, minus 20.6 gradë Celsius, që është rekordi i ri zyrtar slloven për muajin prill.

Deri tani, temperatura më e ulët e regjistruar në këtë vend ishte minus 18 gradë Celsius, ndërsa ishte matur më 4 prill të vitit 1970, njoftoi Agjencia Sllovene e Mjedisit (ARSO), sipas agjencisë sllovene të lajmeve STA.

Bora mbuloi të gjithë Slloveninë të martën. Në disa pjesë të vendit, bora e vështirësoi trafikun, shkaktoi rrëshqitje në rrugë si dhe disa aksidente trafiku.

Krizë në Mal të Zi për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë

Predrag Tomoviq

Katër muaj pas zgjedhjeve, Qeveria e kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, përballet me sfidën më të madhe në raport me shumicën: kërkesën për të shkarkuar ministrin e Drejtësisë, Vladimir Leposaviq.

Krivokapiq njoftoi më 5 prill se ka kërkuar largimin e Leposaviqit për shkak të qëndrimit të tij ndaj gjenocidit në Srebrenicë.

Më 26 mars, Leposaviq deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

Me këtë deklaratë, ai sfidoi edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Leposaviq u zgjodh ministër i Drejtësisë më 4 dhjetor të vitit të kaluar, së bashku me 11 ministra të tjerë të Qeverisë së Krivokapiqit.

Qeveria, që rrëzoi Partinë Demokratike të Socialistëve pas 30 vjetësh në pushtet, u votua nga një shumicë prej 41 deputetësh, të udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe lëvizja qytetare URA.

Fronti Demokratik dhe Demokratët thanë këtë javë se nuk do ta mbështesin shkarkimin e ministrit për shkak të deklaratave të tij në lidhje me Srebrenicën.

Deri më tani, provimi më i vështirë për Qeverinë e Krivokapiqit

Qeveria ka rënë në krizën më serioze deri më tani, për shkak të gjenocidit në Srebrenicë – një ngjarje kjo që ka ndodhur 26 vjet më parë – thotë për Radion Evropa e Lirë Daliborka Ulareviq, drejtoreshë e Qendrës për Edukimin Qytetar (CGO).

“Deri më tani, ky është treguesi më i fortë i keqkuptimeve elementare midis kryeministrit dhe përfaqësuesve të koalicionit qeverisës, si dhe i dallimeve të ndërsjella për një numër çështjesh. Është po ashtu një tregues se kjo qeveri nuk është aq eksperte dhe nuk ndjek agjendën evropiane”, thotë Ulareviq.

Si shembull, ajo përmend pikërisht Leposaviqin dhe pikëpamjet e tij mbi Srebrenicën.

“Leposaviq nuk tregoi ndonjë ekspertizë të dukshme gjatë mandatit të tij të deritashëm dhe nuk promovoi sistemin e vlerave dhe standardeve në fushën e të drejtave të njeriut, që janë trashëguar nga anëtarët më progresivë të Bashkimit Evropian”, thotë Ulareviq.

Forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, më 1995.

Forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, më 1995.

Avokati dhe ish-ministri i Drejtësisë në Mal të Zi, Dragan Shoq, thotë se nuk ka asnjë rezultat nga shkarkimi i Leposaviqit – nëse fare ndodh – i cili do të ishte i favorshëm për kryeministrin dhe Qeverinë e tij.

“Është e qartë se kryeministri nuk e ka përkrahjen e grupit që mbështet Qeverinë për largimin e Leposaviqit. Në anën tjetër, nëse e tërheq atë propozim, kjo do ta minonte legjitimitetin e tij si kryeministër”.

“Cilido opsion nuk është i mirë dhe kjo nuk është aspak një situatë e këndshme politike për Qeverinë”, thotë Shoq.

Devijimi nga rruga evropiane, zgjedhje të reja apo vazhdim i trazirave?

Në përgjigje të deklaratës së Leposaviqit për Srebrenicën, Bashkimi Evropian tha më 29 mars se hedh poshtë dhe dënon çdo mohim, relativizim ose keqinterpretim të gjenocidit në Srebrenicë.

Për të njëjtin rast, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë shprehu shqetësimin e saj dhe shpresën se “Qeveria e Malit të Zi do ta dënojë pa mëdyshje masakrën dhe do ta quajë atë ashtu siç ka qenë – gjenocid”.

Meqenëse Fronti Demokratik dhe Demokratët, si dy grupet më të mëdha në pushtet, kanë thënë tashmë se nuk do të votojnë për largimin e Leposaviqit, pyetja është se cili mund të jetë epilogu i konfliktit midis kryeministrit dhe partive që e kanë zgjedhur shef të Qeverisë?! Më 5 Mars, kryeministri Krivokapiq nuk kishte asnjë dilemë:

“Pohoj, bazuar në informacionin që kam, se kjo është një përpjekje për ta përmbysur Qeverinë nga brenda. Për këtë punojnë përfaqësues të shumtë të partive të caktuara në pushtet dhe të Partisë Demokratike të Socialistëve”.

Përkundër situatës së krijuar, Daliborka Ulareviq thotë se nuk pret ndryshim në “kursin evropian” të Qeverisë malazeze.

“Nuk pres ndonjë ndryshim, sepse kemi kohë që luhatemi në atë rrugë… Kjo Qeveri e re nuk ka bërë asgjë për t’i çuar gjërat përpara, kryesisht për shkak të injorancës thelbësore të procesit të integrimit”, thotë Ulareviq.

Ajo gjithashtu nuk beson se zgjedhjet e reja do të ishin një epilog real i krizës aktuale të Qeverisë.

“Unë nuk besoj se ky konflikt mund të shkaktojë menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Unë mendoj se kjo përmbysje e dhimbshme e aktorëve politikë do të intensifikohet, gjë që nuk do të jetë në favor të interesit publik dhe temave që tani kanë përparësi: shëndetësia, ekonomia, sundimi i ligjit”, thotë Ulareviq.

Kur do të votohet për shkarkimin e Leposaviqit?

Krivokapiq paralajmëroi se do t’ia dërgojë Kuvendit të Malit të Zi kërkesën për shkarkimin e Leposaviqit, por nuk ka asnjë afat ligjor, brenda të cilit kjo pikë duhet të jetë në rendin e ditës.

Dragan Shoq thotë për Radion Evropa e Lirë se kryetari i Parlamentit vendos se kur kjo pikë do të jetë në rend të ditës.

“Për mua është logjike që kjo të trajtohet me prioritet, sepse bëhet fjalë për Qeverinë, por nuk ekziston afat”, thotë ai.

Nëse ministri Leposaviq hiqet dhe Parlamenti nuk e mbështet zgjedhjen e një kandidati të ri, Shoq thotë se në atë rast, pozita e lirë do të mbushej nga njëri prej ministrave ose kryeministri.

Fronti Demokratik dhe Demokratët thanë se nuk do ta mbështesin shkarkimin e ministrit, çfarë do të thotë se 37 deputetë të shumicës aktuale parlamentare janë kundër.

Si justifikim, Fronti Demokratik tha se pikëpamjet e Leposaviqit ndahen nga të gjithë serbët në Mal të Zi.

“Derisa të ketë deputetë të Frontit Demokratik, Leposaviq nuk do të shkarkohet për shkak të qëndrimeve që ndan secili serb në Mal të Zi”, tha Sllaven Radunoviq nga ky subjekt politik.

Për Demokratët, votimi për heqjen e Leposaviqit është problem, “përveç nëse është marrëveshje e shumicës parlamentare”. Dhe, është e qartë që marrëveshja nuk ekziston, për shkak të kundërshtimit të Frontit Demokratik.

Vetëm URA, me katër deputetë, mendon se ata që “nuk e kuptojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, nuk kanë vend në funksionet e shtetit”.

Nga 40 deputetët e opozitës, për largimin e Leposaviqit tashmë janë deklaruar: Partia Social-Demokrate, Social-Demokratët, Boshnjakët dhe Partia Liberale – gjithsej 9 deputetë.

Një qëndrim i tillë pritet edhe nga 29 deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve, që kanë kërkuar largimin e Leposaviqit, si dhe nga dy përfaqësuesit e partive shqiptare.

Aritmetika parlamentare tregon se opsioni i vetëm për shkarkimin mund të jenë votat e opozitës, së bashku me votat e partisë në pushtet – URA.

Vetë Leposaviq nuk është deklaruar në lidhje me kërkesën për shkarkimin e tij.

Krivokapiq tha se Leposaviq do të qëndrojë në pozitën e ministrit deri në zgjedhjen e një të riu, sepse “dëshiron ta vazhdojë kryerjen e këtij funksioni”.

“Kjo është e drejta e tij derisa të shkarkohet”, tha Krivokapiq.

“Kosova është zemra e Serbisë”

Qindra qytetarë në Podgoricë, Nikshiq, Tivar, Berane dhe qytete të tjera të Malit të Zi protestuan pas vendimit të kryeministrit për të iniciuar shkarkimin e Leposaviqit.

Të mbledhur para ndërtesës së Qeverisë në Podgoricë, ata brohorisnin: “Kosova është zemra e Serbisë”, “Tradhti, tradhti”, “Ne nuk do t’i japim të shenjtët”, “Ju na tradhtuat”.

Podgoricë: Njerëz me flamuj të Serbisë protestojnë kundër shkarkimit të mundshëm të ministrit të Drejtësisë në Mal të Zi, Vlladimir Leposaviq.

Podgoricë: Njerëz me flamuj të Serbisë protestojnë kundër shkarkimit të mundshëm të ministrit të Drejtësisë në Mal të Zi, Vlladimir Leposaviq.

Ata mohuan gjenocidin në Srebrenicë me pankartën: “Për shkak të Srebrenicës, një serb po hiqet nga zyra, mos harroni se nuk kishte gjenocid”.

Të tubuarit gjithashtu fyen kryetarin e Kuvendit malazez, Alleksa Beçiq, duke thënë se ai ka bërë tradhti, pasi i ka uruar Glauk Konjufcës zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës dhe ka thënë se Prishtina mund të llogarisë në ndihmën e Podgoricës.

Urimi u publikua në ueb-faqen e Parlamentit të Kosovës më 2 prill, ndërsa te publiku malazez arriti përmes mediave serbe, të cilat e vlerësuan si “tradhti” dhe “turp”.

Përgatiti: Valona Tela

Iniciohet shkarkimi i ministrit malazez për shkak të deklaratës për Srebrenicën

Ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Vladimir Leposaviq (në mes).

 

 

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, propozoi shkarkimin e ministrit të Drejtësisë në këtë vend, Vladimir Leposaviq, për shkak të qëndrimit të tij ndaj gjenocidit në Srebrenicë.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, Krivokapiq tha se e ka dërguar këtë propozim në Parlamentin e Malit të Zi.

Gjatë një seance parlamentare më 26 mars, Leposaviq ka thënë se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

Me këtë deklaratë, ai ka sfiduar edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

“Pas deklaratës së diskutueshme i kam dërguar një mesazh, që ai duhet të nxirret vetë nga ajo që ka gatuar vetë. Kam menduar se deklarata e tij do të ishte e atillë që të amortizonte atë që është thënë, por ajo ka mbetur me prapavijën e njëjtë”, tha Krivokapiq, duke aluduar në deklaratën e dytë të Leposaviqit, që ka bërë tre ditë më vonë, duke shprehur të njëjtat pikëpamje.

Deklarata e Leposaviqit ka nxitur reagime të shumta nga publiku vendas dhe ndërkombëtar, që ka kërkuar dorëheqjen e tij. Po ashtu ka pasur thirrje për reagim të prokurorisë.

Kryeministri Krivokapiq tha se detyrim i Leposaviqit ka qenë që t’i përgjigjej pyetjes parlamentare rreth Srebrenicës në frymën e politikës së Qeverisë, e jo në frymën e debatit akademik.

“I kam kërkuar dorëheqjen sepse është më mirë që me një akt personal, të tregojmë përgjegjësi. Këtë e kam bërë të premten edhe sot”, tha Krivokapiq.

“Meqenëse Leposaviq ka mbajtur pozicionin e tij, unë kam propozuar shkarkimin e një anëtari të Qeverisë, në këtë rast të ministrit Leposaviq”, tha Krivokapiq, për të shtuar se është e papranueshme që ministri i Drejtësisë të shprehë pikëpamjet e tij private.

Edhe Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të mos relativizohet apo mohohet gjenocidi në Srebrenicë, duke thënë se zyrtarët në të gjitha shtetet që synojnë integrimin në BE, duhet të jenë të gatshëm t’i respektojnë vlerat evropiane, ndër të cilat është edhe trajtimi me respekt i viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës. rel

Krerët e Malit të Zi ftohen ta vizitojnë Srebrenicën: Ejani njoftohuni me faktet për gjenocidin

Bordi i Drejtorëve të Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës i ka ftuar krerët e Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, Dritan Abazoviq dhe Vladimir Leposaviq, të shkojnë në Srebrenicë, transmeton Gazeta Express.

Ata janë të ftuar, siç thonë ata, të njihen me faktet për gjenocidin.

Deklarata e qendrës, cituar nga mediat e Sarajevës, thotë se deklaratat e fundit nga kryeministri të Malit të Zi, Krivokapiq, zëvendëskryeministri Abazoviq dhe ministri i Drejtësisë, Leposaviq, të cilat mohojnë gjenocidin, relativizojnë fakte të vërtetuara nga gjykata.

“Ato deklarata përfaqësojnë një goditje për sundimin e ligjit dhe procesin e pajtimit në rajon”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kjo qendër.

Krivokapiq, Abazoviq dhe Leposaviq u ftuan ta vizitojnë Qendrën Përkujtimore dhe për të bërë homazhe për viktimat.

“Këtu aata kanë një pasqyrë të drejtpërdrejtë në gjërat personale dhe historitë personale të të mbijetuarve të gjenocidit”, thuhet më tej në deklaratë.

Vendimet e gjykatave, thuhet në deklaratë, janë pika e fundit që një individ duhet të arrijë në mënyrë që të kuptojë që në Srebrenicë u krye gjenocid.

Vuçiq: Do të vazhdoj punën drejt delegjitimimit të pavarësisë së Kosovës

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka deklaruar të premten se do të vazhdojë të punojë drejt “delegjitimimit të pavarësisë së Kosovës”.

Vuçiq ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar raportin e Parlamentit Evropian (PE) mbi përparimin e Serbisë drejt pranimit në Bashkimin Evropian, të miratuar një ditë më parë.

Presidenti serb e ka konsideruar raportin si “gënjeshtra të zhveshura”, duke shtuar se deputetët e bllokut evropian kanë “humbur në kohë dhe hapësirë”.

“Ata duket se kanë lexuar një raport nga 2011 dhe jo nga viti 2021,” u ka thënë presidenti serb gazetarëve, gjatë një vizite në rrethinën e qytetit Shabac.

Në këtë raport, anëtarët e Parlamentit Evropian kanë paralajmëruar se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, dhe respektimi i vërtetë i të drejtave themelore në këtë vend, është element thelbësor për përcaktimin e ritmit të negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian.

Lidhur me pjesën e raportit në të cilën PE ka shprehur shqetësim për “fushatën për të delegjitimuar pavarësinë e Kosovës”, Vuçiq tha se ai është krenar për këtë dhe se do të vazhdojë të punojë për delegjitimimin e pavarësisë së Kosovës “për inat të Parlamentit Evropian”.

Duke komentuar pjesët e raportit të PE, i cili përmend “mungesën e pajisjeve mjekësore” për luftën kundër pandemisë së koronavirusit dhe ekspertizën e pamjaftueshme të mjekëve në Serbi, Vuçiq tha se deputetët evropianë “kanë thënë gjithçka vetëm për veten e tyre” kur kanë miratuar atë dokument .

“Ne testojmë më shumë sesa 80 për qind e vendeve të BE-së dhe ata na dënojnë”, ka deklaruar ai.

Në raport janë shprehur shqetësime edhe në lidhje me funksionimin e Parlamentit të ri të Serbisë, i cili nuk ka opozitë parlamentare.

Deputetët evropianë kanë përsëritur rëndësinë e përafrimit të Serbisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke pasur parasysh që shkalla e pajtueshmërisë së Serbisë aktualisht është më e ulëta në rajon.

Serbisë i janë kërkuar rezultate “bindëse”, duke përfshirë hetime efektive në fusha të rëndësishme si, gjyqësori, liria e shprehjes, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mes tjerash është përmendur edhe se liria e medias po përkeqësohet dhe se përdorimi i gjuhës ofenduese, frikësimi dhe madje gjuha e urrejtjes po rritet ndaj anëtarëve të opozitës parlamentare, intelektualëve të pavarur, organizatave joqeveritare, gazetarëve, individëve me ndikim dhe anëtarëve të partive në pushtet.

Në mesin e çështjeve tjera, deputetët e PE-së kanë mirëpritur përparimin që Serbia ka bërë në zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut dhe kanë inkurajuar Qeverinë serbe të ndjekë reformat strukturore në këtë fushë. rel

Protesta në Serbi kundër racizmit ndaj shqiptarëve: Të merren masa ndaj Vulinit

Lëvizja kundër dhunës, “Gratë në të zeza” ka mbajtur një aksion protestues me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Racizmit, duke dënuar gjuhën e urrejtjes, intolerancën dhe ksenofobinë kundër komunitetit shqiptar në Serbi, si dhe kundër shqiptarëve të Kosovës, tranmseton Gazeta Express.

Kryetarja e kësaj lëvizjeje, Stasha Zajoviq tha për televizionin N1 se përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Serbisë po fusin terma racistë dhe diskriminues në komunikimin zyrtar dhe se kjo legalizon gjuhën shoviniste dhe raciste të urrejtjes dhe shkel Kushtetutën e ligjet në fuqi.

Si një shembull i nxitjes së intolerancës racore dhe kombëtare, kjo lëvizje theksoi paraqitjet e ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, i cili përdor termin “Shiptari” sa herë që flet për shqiptarët.

“Gratë në të zeza” u bënë thirrje institucioneve kompetente të reagojnë dhe ta sanksionojnë Vulinin dhe të gjithë të tjerët që përhapin diskriminim racor.

Aksioni, i cili u zhvillua paqësisht, u sigurua nga anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Zaharieva: Bullgaria njeh vetëm identitetin e ri maqedonas

Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

 

Isuf Kadriu

“Qeveria në Shkup po përpiqet të mohojë historinë tonë të përbashkët dhe kjo është arsyeja pse kemi mosmarrëveshje bilaterale”. Kështu ka deklaruar ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva në një shkrim të saj për magazinën gjermane “Theeuropean.de.”

Zaharieva ka thënë se Bullgaria pranon vetëm se identitetin e ri maqedonas të formuar pas vitit 1945 ndërsa akuzoi drejtuesit e institucioneve të Shkup, për siç ka thënë “mohimin e historisë së përbashkët”.

“Një identitet i veçantë maqedonas u formua në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Bullgaria njeh këtë identitet të veçantë të Maqedonisë së Veriut dhe mbështet integrimin evropian. Heronjtë e zakonshëm kombëtarë, të tillë si Goce Dellçev, i cili si një maqedono-bullgar luftoi për pavarësi nga Perandoria Osmane në shekullin XIX, portretizohen vetëm si maqedonas. Versionet maqedonase të këngëve dhe romaneve të famshme bullgare janë rishkruar për të fshirë gjithçka bullgare në to. Një komision i përbashkët i historisë u krijua për të zgjidhur mosmarrëveshjen, por rezultate konkrete ende nuk ka”, ka shkruar Zaharieva.

Zaharieva ka akuzuar Shkupin për mos zbatimin e Marrëveshjes së Miqësisë të nënshkruar në vitin 2017, pastaj për fyerje të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut por edhe për diskriminim të investitorëve bullgarë.

“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët e ndjejnë veten si bullgarë, ngacmohen dhe dënohen, dhe adresat e tyre zbulohen në rrjetet sociale. Shkupi po shtyn gjithashtu projektet e transportit të infrastrukturës për korridoret e rëndësishme ekonomikisht të financuara nga BE. 130 milionë euro janë humbur tashmë për ndërtimin e autostradës A1 midis dy vendeve tona, sepse Shkupi injoron kërkesat për fonde të BE-së” ka deklaruar Zaharieva.

Shefja e diplomacisë bullgare ka thënë se Maqedonia e Veriut do të jetë në gjendje të fillojë negociatat me BE vetëm kur Shkupi dhe Sofja kapërcejnë çështjet e hapura bilaterale.

Sofje në nëntor të vitit të kaluar bllokoi kornizën e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

“Shpresoj se Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti do të jetë në gjendje të fillojë negociatat. Por, që të ndodhë kjo, ne duhet të kapërcejmë çështjet e hapura bilaterale midis dy vendeve tona. Kolegët në Shkup duhet të tregojnë se janë të përkushtuar për një angazhim afatgjatë për të ardhmen e tyre evropiane duke përqafuar vlerat evropiane, siç bëri Bullgaria 14 vjet më parë,” ka theksuar Zaharieva.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut nuk lëkundet nga qëndrimet lidhur me kontestin me Bullgarinë, pavarësisht qëndrimeve tanimë të qarta të Brukselit mbi nevojën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, në mënyrë që Shkupi të mund të nisë bisedimet për anëtarësim.

Nga qeveria thonë për Radion Evropa e Lirë, se Shkupi mbetet i hapur për negociata, por jo edhe për kushtëzime që kanë të bëjnë me identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase.

Serbisë dhe Malit të Zi u ofrohet rrugë më e shkurtër për në BE

Në Bashkimin Evropian janë duke vazhduar përgatitjet që Mali i Zi dhe Serbia të përfshihen në metodologjinë e re të zgjerimit të bllokut, që ishte miratuar në shkurt të vitit 2020.

Në një dokument të brendshëm, të përgatitur nga Komisioni Evropian për shtetet anëtare, janë paraqitur hapat përmes së cilave edhe Mali i Zi dhe Serbia do të përfshihen në këtë metodologji. Në parim, metodologjia e re aplikohet ndaj shteteve, të cilat, në kohën e miratimit të saj, nuk kishin nisur negociatat e anëtarësimit, në këtë rast Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Por, që prej se ishte miratuar kjo metodologji ishte thënë se edhe këto dy shtete mund të përfshihen në këtë metodologji të re “me kusht që edhe ato të pajtohen me këtë”.

Metodologjia e re e zgjerimit parasheh grupimin e disa kapitujve në një tërësi dhe hapjen dhe mbylljen e tyre në të njëjtën kohë. Po ashtu, parashihet edhe dinamizmi i kontakteve politike, por edhe fokusimi më i madh në kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

Në këtë dokument po ashtu propozohet që Mali i Zi dhe Serbia nuk mund të mbyllin asnjë kapitull të ri negociues, nëse nuk vërtetohet se i kanë përmbushur të gjitha kushtet kalimtare nga kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të drejtat themelore dhe rendin e ligjin. Po ashtu, këta kapituj do të mbyllen vetëm në fund të procesit.

Edhe në këtë dokument, në rastin e Serbisë, përmendet kusht edhe progresi në normalizimin e raporteve me Kosovën, në kuadër të dialogut të cilin e lehtëson BE-ja.

“Në rastin e Serbisë, progresi në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve me Kosovën mbetet element kyç, në përputhje me kornizën negociuese për Serbinë”, thuhet në dokument.

Sipas metodologjisë së re, shtetet anëtare të BE-së do të kenë më shumë mundësi që të jenë të përfshira në monitorimin e procesit, duke përfshirë edhe kontributin e tyre në përmbajtjen e Raportit të Progresit si dhe në praninë e ekspertëve të shteteve anëtare në terren.

Po ashtu, do të ketë më shumë takime në nivel politik midis BE-së dhe vendeve kandidate, si përmes Këshillit për Stabilizim Asociim, ashtu edhe me takime së paku një herë në vit në nivel të konferencave ndërqeveritare. Rëndom, konferenca të tilla mes BE-së dhe një vendi që negocion për anëtarësim zhvillohen vetëm për të hapur apo mbyllur kapitujt negociues. Por, tani propozimi është që takime të tilla të mos varen vetëm nga hapja e kapitujve, por të jenë edhe një forum politik, ku mund të diskutohen prioritetet dhe dinamikat e procesit.

Me metodologjinë e re, përmes së cilës BE-ja dëshiron ta bëjë procesin shumë të parashikueshëm, janë paraparë edhe masat korrektuese dhe sanksionet në rast se Mali i Zi apo Serbia kanë ngecje apo kthim prapa në zbatimin e obligimeve në kapitujt negociues, sidomos në ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe fushën e drejtësisë.

Metodologjia e re ishte miratuar në BE me propozimin e Francës, që së bashku me Holandën kishin bllokuar vendimin për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas miratimit të kësaj metodologjie, Këshilli kishte arritur të marrë pëlqimin e të 27 shteteve anëtare për të nisur negociatat me këto dy shtete. Por, për këto dy shtete ende nuk është miratuar korniza negociuese, pa të cilën, as Tirana dhe as Shkupi zyrtar nuk mund të nisin formalisht negociatat për anëtarësim në BE.

Mali i Zi dhe Serbia para disa vjetësh kanë nisur negociatat për anëtarësim dhe deri më tani, këto dy shtete kanë mbyllur vetëm një numër të kufizuar të kapitujve, Mali i Zi tre dhe Serbia vetëm dy. Mali i Zi ka hapur të gjitha kapitujt negociues, ndërsa Serbia deri më tani ka hapur 18 kapituj.

Mbështetësit e metodologjisë së re kanë argumentuar se qëllimi i saj është që nëse shtetet kandidate, vërtetë janë të gatshme që t’i përmbushin kushtet, do të përshpejtohet edhe procesi i negociatave të anëtarësimit. Prandaj, edhe kanë shprehur bindjen se Mali i Zi dhe Serbia do të jenë të interesuara që edhe ndaj tyre të përdoret kjo metodologji e re. rel

Vuçiq bisedon me Palmerin për çështjen e Kosovës, thotë se Serbia do të përpiqet të bëjë kompromis

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka biseduar sot përmes një video-lidhje me të dërguarin special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në mesin e disa temave, Vuçiq dhe Palmer kanë diskutuar edhe për situatën e përgjithshme rajonale, shkruan danas.rs.
Vuçiq ka thënë se Serbia do të vazhdojë të përpiqet për arritjen e një kompromisi real dhe të qëndrueshëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Vuçiç posaçërisht theksoi se Serbia do të vazhdojë të përpiqet për arritjen e një kompromisi real dhe të qëndrueshëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe Metohisë, duke mbrojtur interesat e serbëve atje, si dhe duke ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë”.

Kroacia do të rrisë praninë ushtarake në Kosovë në misionin e NATO-s

Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq ka thënë të enjten në selinë e NATO-s në Bruksel se Koacia, në javët në vijim, do të rrisë numrin e pjesëtarëve të saj në misionin e KFOR-it në Kosovë.

Ai e ka bërë këtë njoftim në një konferencë për media pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Shefi i NATO-s e ka falënderuar Kroacinë, duke e quajtur “anëtare të rëndësishme të aleancës” për kontributin që ka dhënë gjatë këtyre viteve për forcimin e sigurisë së përbashkët, përballjen me kërcënimet e sigurisë dhe për misionet e NATO-s nga Afganistani deri në Kosovë.

Kryeministri i Kroacisë ka thënë se Kroacia është e nderuar të jetë anëtare e NATO-s dhe të mund të japë kontribut.

“Ju përmendet Kosovën dhe praninë tonë. Në javët që vijnë do të rrisim praninë tonë në Kosovë”, ka thënë kryeministri i Kroacisë.

Edhe shefi i NATO-s dhe kryeministri kroat kanë thënë se lidhjet e forta transatlantike janë me rëndësi jetike për NATO-n.

Ata madje kanë paralajmëruar se këto lidhje do të forcohen këtë vit kur edhe do të zhvillohet një samit i NATO-s në Bruksel.

Kroacia ka përfunduar vitin e shkuar pjesëmarrjen e ushtarëve të saj në misionin e NATO-s në Afganistan.

Që atëherë, Kroacia ka vendosur të shqyrtojë mundësinë e rritjes së kontributit të saj në misionin e KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë.

Sipas të dhënave të fundit të NATO-s Kroacia ka 37 pjesëtarë në misionin e KFOR-it nga rreth 3.500 pjesëtarë sa janë në këtë mision ushtarak.

Numrin më të madh të ushtarëve e kanë Shtetet e Bashkuara me 660 pjesëtarë, Italia me 542, Hungaria 397 dhe Austria 324.

Misioni i KFOR-it në Kosovë ka nisur angazhimin në qershor të vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes tekniko-ushtarake mes NATO-s dhe Ushtrisë së atëhershme Jugosllave, me çka i është dhënë fund fushatës ajrore kundër forcave të udhëhequra nga ish-lideri Sllobodan Millosheviq. rel

“Kosova nuk është e jona”, kreu i Akademisë serbe merr përkrahje nga Bordi Ekzekutiv

“E drejta për mendim personal, si dhe shprehja e tij, nuk mund t’i mohohet askujt”, thuhet në njoftimin e Bordit Ekzekutiv të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, në të cilën theksohet se shumica dërrmuese e akademikëve “japin mbështetje të plotë për Kryesinë dhe Bordin Ekzekutiv të Akademisë”, përfshirë kryetarin Vladimir Kostiq, i cili tha se “Kosova s’është Serbi”, transmeton Gazeta Express.

Bordi Ekzekutiv i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve njoftoi se “në mes të sulmit ndaj kryetarit dhe anëtarëve individualë të Akademisë, organeve të saj drejtuese, si dhe Akademisë Serbe e Shkencave dhe Arteve si tërësi, të cilat këto ditë kanë pushtuar publikun, shumica dërrmuese e anëtarëve të Akademisë ndjejnë nevojën për të lajmëruar në departamentet e tyre lidhur me këtë rast”.
“Tekstet që pothuajse të gjitha departamentet i dërguan zyrtarisht Kryesisë dhe Bordit Ekzekutiv, dhe në disa raste të gjithë anëtarëve të Akademisë, janë të ndryshme në përmbajtje dhe ton, por emëruesit e tyre të përbashkët janë: 1. e drejta për mendim personal dhe shprehje, dhe 2. se është e papërshtatshme dhe e papranueshme t’u bësh thirrje anëtarëve të Akademisë të deklarojnë individualisht mbi parimin ‘po ose jo’ për pyetjen e shtruar nga vetë propozuesi i procedurës, por edhe për shkak të shoqatave të njohura politike dhe historike që ngre një kërkesë të tillë”, thuhet në një deklaratë nga Akademia.

Në deklaratë thuhet, ndër të tjera, se anëtarët e Akademisë për shumë vite ishin “plotësisht të lirë të shpreheshin në lidhje me problemin e Kosovës në mënyra të ndryshme”.

Bordi Ekzekutiv i SANU vëren se “shumica dërrmuese e akademikëve i kanë dhënë mbështetjen e tyre qartë Presidencës, Bordit Ekzekutiv dhe Presidentit të SANU për të vazhduar me punën e tyre”.

“Shkalla e kësaj mbështetje në mënyrë të konsiderueshme ngre kërkesat për veprim edhe më të përgjegjshëm, por gjithashtu tregon se atmosfera e krijuar në publik është e papranueshme që problemi i Kosovës është thyer kryesisht në Akademi, e cila duket se bëhet një paradigmë për gjithë këtë problem. Kjo thjesht nuk është e vërtetë: ky është një problem që as nuk u krijua me pjesëmarrjen e Akademisë, që as nuk u ftua ndonjëherë zyrtarisht të marrë pjesë në zgjidhjen e tij. Akademia nuk ka as mundësi zyrtare dhe as autorizime për ta bërë këtë”, thuhet në njoftimin e Bordit Ekzekutiv të Akademisë serbe.

Bordi Ekzekutiv i Akademisë së Serbisë thekson se “Akademia si institucion, duke përfshirë shumicën e instituteve të tij, për dekada, madje edhe sot, ofron dhe ofron materiale të mbledhura dhe të hulumtuara, kryesisht të dixhitalizuara, boton të dhëna, mendime dhe analiza bazuar në të vërtetën shkencore dhe artistike”.

Ky reagim vjen pas deklaratave të mëparshme të kryeakademikut serb, Vladimir Kostiq i cili kishte thënë s “dikush duhet t’u thotë këtyre njerëzve se Kosova nuk është më de facto ose de jure në duart tona” dhe se në këtë moment, “e vetmja mençuri politike është se si ta lësh Kosovën me dinjitet”.

Një grup prej 93 të quajtur intelektualë serbë i kishin dërguar një letër të hapur Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve duke kërkuar që kryetari i saj, Vladimir Kostiq të jepte dorëheqje lidhur me deklaratat e tij se “Kosova s’ka qenë dhe s’do të jetë e jona”.

Por në rrjedhën e kritikave e sulmeve të ashpra në drejtim të Kostiqit, atij i kishte dalë në krah politikani serb, Nebojsha Zelenoviq.

“Unë mbështes propozimin e kryetarit të Akademisë, Vladimir Kostiq, për fillimin e një debati serioz dhe efektiv për Kosovën. Kërkesa që Kostiq të largohet nga kreu i Akademisë është, në thelb, një ftesë për të shpëtuar nga realiteti dhe për t’iu dorëzuar fatit, të cilën nuk do ta ndikojmë” kishte shkruar Zelenoviq në Twitter.

Së fundmi, edhe historiani i njohur serb, Milan Protiq i doli në mbrojtje kryeakademikut serb, duke thënë se Kosova është e pavarur, pavarësisht nga fakti se nuk ka njohje të tërësishme ndërkombëtare e as vend në disa prej organizatave ndërkombëtare.

RAGMI MUSTAFI I LUGINËS SË PRESHEVËS NDEROHET ME ÇMIMIN “PENA ALPINE”

     Në Ditën e 7 Marsit, “Gazeta e Alpeve”- gazetë Rajonale-PanShqiptare-NdërBallkanike, ka vlerësuar e nderuar mësues dhe ish-mësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës e Sanxhaku, Maqedonia e Veriut dhe Mërgata Shqiptare, me Çmimin “Pena Alpine” me motivacionin “Për kontributet shkrimore” në faqet e kësaj gazete, përgjatë katër viteve të botimit të saj.

 

Ragmi MUSTAFI nga Lugina e Preshevës (Bujanoc), ish-mësues, mastër i sociologjisë, jurist i diplomuar, publicist, Antar i Bordit Botues të “Gazeta e Alpeve”, prej nwntorit 2018 i zgjedhur funksionar nw detyrwn e Kryetarit tw Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) në Luginën e Preshevës; autor me disa shkrime në “Gazeta e Alpeve”, u nderua me Çmimin “Pena Alpine”.

 

Në kushtet e Pandemisë globale, Çmimi “Pena Alpine”, sipas rastit e bashkërendimeve, “Gazeta e Alpeve” do iu dërgohet  me “Posta Shqiptare” në adresat përkatëse ose do të priten evente të ndryshme në varësi me kushtet e krijuara nga masat e lehtësirat e situatës Kovidiane.

Fatmir Gjeka i reagon kryeministrit të Malit të Zi: Njohja e Kosovës nga Serbia është vetëm çështje kohe

Kryetari i Partisë Demokratike në Mal të Zi, Fatmir Gjeka e ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq se ai kurrë nuk do ta njihte pavarësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se deklarata Krivokapiq është e paarsyeshme dhe e dëmshme “në një situatë kur njohja e Kosovës nga Serbia është vetëm çështje kohe”, transmeton Gazeta Express.

“Në një situatë kur është vetëm çështje kohe para se Serbia të duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, deklarata e kryeministrit malazezas, Zdravko Krivokapiq për mediat e Beogradit në lidhje me Kosovën është politikpjekse, e paarsyeshme dhe e dëmshme”, tha anëtari i koalicionit shqiptar “Njëzëri”, Fatmir Gjeka.

Ai tha se “Beteja për Kosovën ka mbaruar”.

“Së pari, për qeverinë e tij të brishtë dhe atë personalisht, sepse kjo minon pozicionin e tyre si në nivelin ndërkombëtar dhe rajonal, ashtu edhe brenda vendit tonë. Sepse beteja për Kosovën ka mbaruar. Ai që nuk e kupton këtë, i ka humbur koha dhe hapësira në të cilën jeton. Prandaj, i dashur kryeministër, ju mbërritët vonë në Kosovë”, tha Gjekaj.

Kryeministri malazezas tha dje se “për një pjesë të popullsisë, [Kosova] është çështje emocionale dhe ata e konsiderojnë atë si pjesë të patjetërsueshme rë Serbisë”. Ai befasoi duke theksuar se po të ishte kryeministër i Malit të Zi para se ky shtet ta njihte Kosovën si shtet të pavarur, ai nuk do ta kishte bërë kurrë këtë gjë.

Greqia ftohet që ta ndjekë shembullin e Izraelit – ta njohë pavarësinë e Kosovës

Këshilltari i kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti për Politikën e Jashtme, Alush Gashi ka ftuar Greqinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, raporton Gazeta Express.

Gashi ka shkruar se pret që Greqia të vendosë marrëdhëniet diplomatike me Kosovën.

“Ne si Kosovë ftojmë për bashkëpunim të ngushtë Greqinë. Specifikisht ne ftojmë Republikën Helenike të Greqisë që formalisht ta njoh Kosovën dhe të vendosë marrëdhënie diplomatike. Ne shpresojmë që liderët grekë të kenë mençurinë të lëvizin përpara”, ka shkruar Gashi.

Ndërkaq, Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike më 1 shkurt, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”.

Në një ceremoni virtuale të mbajtur të hënën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

Ministri izraelit tha se dëshiron që me Kosovën të bashkëpunojë në shumë fusha, përfshirë fushën e ekonomisë, të shëndetësisë e inovacionit.

Ai po ashtu theksoi rëndësinë e marrëveshjes së Uashingtonit, për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të së cilës ishte edhe njohja nga Izraeli, dhe shtoi se Jerusalemi zyrtar do që Ballkani Perëndimor të jetë një rajon stabil.

“Izraeli dëshiron një Ballkan stabil. Marrëveshja e nënshkruar në Uashington për përparim ekonomik në mes të dy miqve tanë, Serbisë dhe Kosovës ne na inkurajon. Izraeli e konsideron Serbinë një partner po aq të afërt dhe të rëndësishëm në Ballkan. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të thelluar dialogun tonë në Serbi”, tha Ashkenazi.

Ai po ashtu bëri të ditur se mëngjesin e 1 shkurtit ka miratuar kërkesën e Haradinaj-Stubllës që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem.

Po ashtu, Izraeli ka falënderuar Kosovën për rolin që ka marrë në luftën kundër antisemitizmit.

Zyrtari i lartë flet për “DW”: Vuçiç ka kohë që po e përgatit terrenin për njohjen e Kosovës!

Pas vendosjes së institucioneve të reja në Prishtinë, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, pritet që të vazhdojë dialogu për normalizimi të raporteve me Beogradin. Një gjë të tillë e ka paralajmëruar i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, pas takimeve që ka pasur me Albin Kurtin dhe Aleksander Vuçiçin.

Ajo që mbetet problematika kryesore e negociatave është zgjidhja përfundimtare. Kosova insiston në një finale me njohje reciproke, derisa zyrtarë të shtetit serb përmendin vetëm kompromisin dhe jo njohjen.

Megjithatë njohësi i zhvillimeve politike në rajon, Naim Leo Beshiri, i ka thënë “Deutche Welle” në gjuhën serbe se aktualisht qëllimi kryesor i dialogut është gjetje e një modeli, sipas të cilit Beogradi do ta njohë pavarësinë e Kosovës në mënyrë implicite apo eksplicite.

Beshiri thotë se ka një kohë që Vuçiç po përpiqet që të përgatitë terrenin për një gjë të tillë përmes institucioneve që vazhdimisht e kanë kundërshtuar njohjen.

“Unë mendoj se Vuçiç është përpjekur për disa vjet që të përgatitë terrenin për atë [njohjen e Kosovës] përmes institucioneve të ndryshme që e kanë kundërshtuar deri tani, si Kisha, ushtria ose Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve”, ka thënë Beshiri.

Megjithatë, Beshiri shton se çështja e njohjes reciproke është paksa konfuze, meqë Serbia nuk ka nevojë për njohjen nga Kosova, ndërsa kjo e fundit ka nevojë me qëllim të sigurimit të shumë njohjeve të tjera. bw

Greqia nuk gjen prehje, tjetër lëkundje e fortë tërmeti, ndihet dhe në Shqipëri

Greqia nuk gjen prehje. Një tjetër tërmet i fuqishëm është ndjerë në orën 19:38 pak kilometra nga Larisa, në Elassona, sipas një vlerësimi paraprak nga Instituti Gjeodinamik i Observatorit Kombëtar të Athinës.

Lëkundjet janë ndjerë dhe në Juglindje të Shqipërisë deri në kryeqytet. Në Korçë e Pogradec raportohet se njerëzit kanë dalë në rrugë të frikësuar.

Paraprakisht thuhet se tërmeti është me magnitudë 5.8 të shkallës Rihter me thellësi fokale në 10 km. Tërmeti u ndie në Thesali, Achaia, por edhe në Atikë.

Paraditen e djeshme një tjetër tërmet tronditi Greqinë me magnitudë 6.3 Rihter. Pas këtij tërmeti, janë regjistruar dhe lëkundje të tjera të fuqishme passizmike. Nga lëkundjet pati vetëm dëme materiale.

Historiani serb: Kosova është e pavarur, të gjithë e dinë, por e fusin kokën në rërë

Historiani serb, Milan Protic thotë se Kosova është e pavarur, pavarësisht nga fakti se nuk ka njohje të tërësishme ndërkombëtare e as vend në disa prej organizatave ndërkombëtare.

Në një intervistë për mediumin serb, Nova.rs, ai theksoi se “Kosova ka territor, njerëz dhe qeveri të pavarur nga Serbia, dhe ky është çmimi i politikave të Titos dhe Millosheviqit”.

Protic tha se kryetari i Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve, Vladimir Kostic, i cili kohët e fundit shprehu një pozicion të ngjashëm në publik, tha të vërtetën.

“Me këtë qëndrim, Kostic provoi se ai është një njeri që mendon me kokë dhe vjen në përfundimet e tij në mënyrë të pavarur, pavarësisht se si do të reagojë mjedisi ndaj tij dhe cilat paragjykime shprehen në publik. Së dyti, ai e tha të vërtetën. Të gjithë e dimë se është e vërtetë, por shumë nuk duan ta dëgjojnë, por e fusin kokën në rërë, sepse nuk duan të përballen me faktet”, tha ai.

Protiq theksoi se Kostic nuk e paraqiti gjykimin e tij, por deklaroi gjendjen faktike të çështjes.

“Në këtë aspekt, unë mund të shkoj më larg se ai, por këtu ne po flasim për vërtetësinë, origjinalitetin, guximin, individualizmin e një njeriu që është në një pozitë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme në këtë vend. Dhe ai, përkundër kësaj, ka mjaft guxim dhe integritet personal për ta shprehur një qëndrim të tillë dhe për të mos pasur frikë se çfarë do të jenë reagimet dhe sa shigjeta helmuese do të drejtohen nga ai, ndërsa, nga ana tjetër, nuk ka asnjë që është i gatshëm ta mbrojë atë”, tha Protic.

Ai shtoi se sot Serbia po paguan çmimin e politikës së gabuar të udhëhequr nga Sllobodan Milloshevici.
“Ky është çmimi i politikës së Titos dhe Millosheviqit. Ne po e paguajmë atë sot. Tito lejoi dhe mundësoi krijimin e një territori të kufizuar në Kosovë, duke krijuar një zonë autonome, dhe pastaj një provincë. Edhe atëherë, Kosova ishte praktikisht dhe në thelb u nda nga Serbia dhe i gjithë pushteti iu dha shqiptarëve atje. Tashmë ishte e qartë në atë kohë që ishte e ndarë nga Serbia dhe nuk do të kthehej. Atëherë Milloshevici u përpoq ta rikthente me forcë, por dështoi, i cili u bë një argument shtesë kundër të drejtës së Serbisë se ‘Kosova vazhdon të trajtohet si territori i saj’. Në vetëdijen tonë, kjo përvojë mesjetare e asaj pjese të vendit tonë nuk është as territoriale, as e zakonshme”, tha ai.

Protic thotë se “Besëlidhja e Kosovës”, domethënë, “përvoja e qenies sonë, ekzistencës, historisë sonë, nuk ka asnjë lidhje me materialin”.
“Kombet e tjera kanë humbur pjesët e tyre domethënëse, dhe ne vetë kemi jetuar pa atë Kosovë për shumë shekuj. Ajo na u kthye në vitin 1912, por kurrë nuk patëm mundësinë ta integronim plotësisht. Kjo është arsyeja pse Kosova mbeti përvoja jonë e së kaluarës dhe identiteti kombëtar, dhe jo thjesht territori. Kosova është bërë një problem i vështirë, i pazgjidhshëm për ne. Ne si popull dhe shtet humbasim vetëm në atë luftë që ishte humbur paraprakisht. Nuk është më çështje nëse do ta shpëtojmë Kosovën, por nëse do ta shpëtojmë Serbinë. Ne nuk kemi njerëz as për këtë territor”, tha ai.

Sipas tij, problemi po bëhet shumë më i thellë sesa çështja e vetë Kosovës.
“Për të mos folur pastaj për atë që po ndodh në Mitrovicë, e cila është një vatër e krimit dhe dhunës… Ne i mbajmë njerëzit tanë atje, ata fëmijë të pafat, në tela me gjemba si disa pengje të idesë serbe. Çfarë të ardhme kanë këta fëmijë? Si mund që njerëzit në Serbi shohin një ndërgjegje të pastër, mundimet në të cilat rriten? Çfarë lloj e ardhme i pret dhe çfarë mund të presin nga jeta, të rrethuar nga shqiptarë, në tela me gjemba, me disa shkolla të varfra dhe të improvizuara ku mësojnë atje. Do të jetë shpirti i tyre? Pse po bëhet kjo?”, tha Protic, shkruan Express.

Kryeakademiku serb, Vladimir Kostic tha së fundi tha se “dikush duhet t’u thotë këtyre njerëzve se Kosova nuk është më de facto ose de jure në duart tona” dhe se në këtë moment, “e vetmja mençuri politike është se si ta lësh Kosovën me dinjitet”.

Një grup prej 93 të quajtur intelektualë serbë i kishin dërguar një letër të hapur Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve duke kërkuar që kryetari i saj, Vladimir Kostic të jepte dorëheqje lidhur me deklaratat e tij se “Kosova s’ka qenë dhe s’do të jetë e jona”.

Por në rrjedhën e kritikave e sulmeve të ashpra në drejtim të Kostiqit, atij i kishte dalë në krah politikani serb, Nebojsha Zelenovic.
“Unë mbështes propozimin e kryetarit të Akademisë, Vladimir Kostic, për fillimin e një debati serioz dhe efektiv për Kosovën. Kërkesa që Kostiq të largohet nga kreu i Akademisë është, në thelb, një ftesë për të shpëtuar nga realiteti dhe për t’iu dorëzuar fatit, të cilën nuk do ta ndikojmë” kishte shkruar Zelenovic në Twitter.

Palmer: Angazhimi i SHBA në Ballkan, i pandryshuar

Dino Jahiç

Departamenti amerikan i Shtetit tha se interesat e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor janë të qendrueshme dhe strategjia e tyre ndaj këtyre vendeve në thelb ka mbetur e pandryshuar. Komentet u bënë nga zyrtari i lartë Matthew Palmer, në një intervistë me shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën boshnjake.

Matthew Palmer, Zv/ndihmës Sekretar i Shtetit dhe përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, tha se nën administratën e re të Presidentit Biden mund të pritet një vazhdim i angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor, për një partneritet të fortë dhe të qëndreshëm me SHBA.

“Politika amerikane, angazhimi amerikan, strategjia amerikane në Ballkanin Perëndimor, ka qenë në thelb e qëndrueshme nga administrata në administratë. Kjo sepse interesat amerikanë janë konstante,” tha zoti Palmer.

Zoti Palmer drejton diplomacinë amerikane për integrimin e këtyre vendeve në institucionet perëndimore.

“Ajo që ne do të dëshironim të shihnim është që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të forta, të gjalla, të begata, në paqe me veten dhe me fqinjët si dhe të integruar në institucionet evropiane. Kjo do të thotë anëtarësim në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut për të gjithë ata që e marrin këtë vendim dhe që aspirojnë anëtarësimin,” tha zoti Palmer.

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se SHBA do të do të inkurajojnë qeverinë e re, që t’i japë përparësi dialogut me Serbinë.

Zoti Palmer thotë se përpjekjet për normalizimin Kosovë-Serbi janë me rëndësi.

“Shtetet e Bashkuara po investojnë në këtë drejtim përpjekje të konsiderueshme, energji dhe kapital politik. Ne mbështesim plotësisht procesin e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe punën e Miroslav Lajcakut si Përfaqësues i Posaçëm për Bashkimin Evropian,” tha zoti Palmer.

Ai tha se hapat pozitive në një drejtim të caktuar në Ballkanin Perëndimor sjellin pasoja pozitive diku tjetër në rajon.

“Nëse mund të ketë normalizim dhe ripajtim Serbi-Kosovë, unë do të thosha se kjo është gjë e mirë për të gjithë në rajon,” tha zëvendës ndihmës sekretari i shtetit.

Mali i Zi, sulmohet me gurë autobusi me qytetarë nga Kosova

Ali Salaj

Të mërkurën në mbrëmje, në aksin rrugor Berane-Podgoricë u sulmua me gurë në qytetin verior të Malit të Zi, Berane, autobusi me udhëtarë nga Kosova, të cilët po udhëtonin drejt një qendre për ski që ndodhet në këtë vend.

Policia malazeze nuk dha asnjë njoftim për ngjarjen në fjalë, ndërkaq lajmin e kanë bërë të ditur disa nga mediat në Mal të Zi.

Televizioni publik i Malit të Zi njoftoi se në Berane është sulmuar me gurë autobusi i Agjencisë “Gjafa tours” dhe se policia është duke u marrë me rastin. Nuk është bërë e ditur nëse ka të lënduar.

Ndërkaq, të enjten Partia Demokratike Socialiste e presidentit malazez, Milo Gjukanoviq, dega në Berane ka dënuan aktin vandal. Në një njoftim të saj thuhet se incidente të tilla shkaktohen nga individë ose grupe të papërgjegjshme, të frymëzuar nga nacionalizmi i çmendur.

“Kjo ngjarje dërgoi një mesazh shumë të shëmtuar nga qyteti ynë për turistët që vizitojnë Malin e Zi. Përpjekjet e qeverisë së mëparshme për të vlerësuar potencialet e Bjelasica dhe për ta bërë atë një qendër rajonale për ski po përpiqen të shemben me aktet që ndodhën natën e kaluar në Berane”, thuhet në njoftim.

Kjo parti i bëri thirrje autoriteteve malazeze që të gjejnë autorët e krimit dhe të mbrojnë sigurinë e qytetarëve.

“Ne do të bëjmë gjithçka për të eliminuar fenomene të tilla primitive, prandaj u bëjmë thirrje autoriteteve kompetente të gjejnë autorët e krimit dhe t’i sjellin ata para drejtësisë. Ne gjithashtu kërkojmë nga qeveria aktuale të mbrojë sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe të gjithë turistëve që qëndrojnë ose vizitojnë Malin e Zi”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Gjukanoviq.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka dënuar ashpër incidentin në Berane të Malit të Zi. Zonja Stublla vuri në dukje se ky incident ka mbjellë frikë për qarkullimin e lirë të qytetarëve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe se Kosova nuk do ta lejojë minimin e drejtimit euro-atlantik të rajonit, nga këto incidente të mbjella nga lufta hibride kundër anëtarëve dhe aleatëve të NATO-s në rajon.

“Si rajon ne jemi përcaktuar për integrim euro-atlantik dhe Kosova nuk do të lejojë asnjë zbrazëti për minim të kësaj përpjekjeje nga lufta hibride që po bëhet ndaj shteteve anëtare dhe aleatëve të NATO-s në Ballkanin Perendimor”, tha zonja Haradinaj-Stublla.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga autoritetet malazeze sqarim të plotë të këtij incidenti, i cili nuk është në frymën e fqinjësisë së mirë e rrugës pa kthim të të shteteve për integrim euro-atlantik.

Ambasada e Kosovës në Podgoricë, përmes një note verbale drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi, ka kërkuar shpjegim në lidhje me incidentin në Berane.

Ambasada e SHBA në Beograd për “shiptari”-n e Vulinit: Ne dimë për rreziqet e shkaktuara nga fjalimet fyese

Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor Ministrin Aleksandër Vulin për përdorimin e termit fyes “shiptari” për pakicën shqiptare që jeton në Serbi. Kësisoj, gjykata ka legalizuar termin pezhorativ ndaj shqiptarëve. Nga ambasada amerikane në Beograd për Gazetën Express ka thënë se përdorimi i emrave nënçmues për t’i përshkruar grupet e pakicave shkaktojnë rreziqe dhe përçarje të vazhdueshme.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti.

Zyrtari për media i ambasadës amerikane në Serbi, James Hagengruber, ka thënë për Express se gjykatat amerikane nuk thonë se cilat terma janë ligjorë apo fyes, por që, sipas tij, përdorimi i emrave nënçmues për pakicat sjellin rreziqe.

“Liria e të shprehurit është një vlerë themelore e Shteteve të Bashkuara. Kongresi ynë nuk ligjëson se cilat lloje të fjalimeve vlerësohen si fyese dhe gjykatat tona nuk thonë se cilat terma janë ligjorë apo fyes. Por ne dimë nga përvoja jonë kombëtare për rreziqet, dhimbjen dhe përçarjen e vazhdueshme të shkaktuara nga fjalimet fyese, në veçanti nga përdorimi i emrave nënçmues për t’i përshkruar grupet e pakicave”, thuhet në përgjigje.

Këshilli Kombëtar Shqiptar në Serbi ka paditur ministrin Aleksander Vulin për përdorimin e termit fyes “siptari” për shqiptarët që jetojnë në Serbi.

Gjykata e Lartë në Beograd e ka cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar dhe kësisoji i ka dhënë fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëvë në Serbi.

Deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi ka mbajtur dje një fjalim shqip ku ka thënë se vendimi i  Gjykatës së Lartë në Beograd për legalizimin e termit “siptari” nuk ka ndodhur as në kohën e Sllobodan Millosheviqit.

“Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit i cili vrau, dhunoi dhe dëboi shqiptarët duke i quajtur Albanac. Por, ja që nën heshtjen e botës demokratike, Serbia e Aleksandër Vuciqit po kthehet në kohën e Aleksandar Rankoviqit, që njihet si periudha e fundit e përdorimit zyrtar dhe publik të termit “šiptar”. Të respektuar kolegë, Vendimi i Gjykatës së Lartë në Beograd është edhe precedent tepër i rrezikshëm për minoritetet në Serbi, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor. Ai krijon standard legjitimues për gjuhë të urrejtjes ndaj minoriteteve jo vetëm në Serbi, por edhe në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kamberi mes tjerash.

Kamberi u ka bërë thirrje ambasadave të shteteve të fuqishme, Bashkimit Evropian dhe misionit të OSBE’së në Serbi që të reagojnë ndaj këtij vendimi.

Ndaj këtij vendimi të Gjykatës së Lartë në Beograd ka reaguar edhe u.d së presidentit Vjosa Osmani duke e cilësuar si mbështetje të racizimit ndaj shqiptarëve.

“Urrejtja serbe e sponsorizuar nga shteti ndaj popullit tonë ka qenë mbizotëruese gjatë gjithë historisë sonë. Vendimi i sotëm i gjykatës për ta miratuar racizmin kundër shqiptarëve është një njollë tjetër në regjistrin e tmerrshëm të qeverisë së tyre.Kjo duhet të jetë një hapje e syve për të gjithë ata që shpresonin që Serbia do të përmirësohej”, ka shkruar Osmani.

Ndërkaq, ambasadorja në detyrë e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku ka thënë se gjykatat në Serbi kanë vulosur racizmin ndaj shqiptarëve.

“Gjykatat në Serbi vulosën racizmin ndaj shqiptarëve. E papranueshme, por jo befasuese. Kjo nuk është dhe nuk duhet të mbetet vetëm betejë e shqiptarëve të Luginës”, ka thënë Çitaku./GazetaExpress/

Vendimi ndaj Vulinit për termin “shiptari” kalon në apel

Gjykata e Lartë në Beograd ka konfirmuar se vendimi për të hedhur poshtë padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar ndaj ministrit të Brendshëm, Aleksandër Vulin është miratuar më 28 dhjetor të vitit 2020, dhe se i njëjti nuk është i plotfuqishëm.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Gjykata e Lartë tha se nuk është në gjendje të komentojë sepse procedura e apelimit ndaj këtij vendimi është në proces.

“Në lidhje me këtë gjyqtari merr vendime në mënyrë të pavarur, në përputhje me vlerësimin që ai u bën fakteve dhe interpretimin e ligjit në përputhje me Kushtetutën”, tha Gjykata e Lartë në Beograd.

Të hënën deputeti shqiptar i parlamentit të Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se Gjykata e Lartë në Beograd e ka hedhur poshtë padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar ndaj ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vullin.

Këshilli e kishte paditur Vullinin vitin e kaluar për shkak të “gjuhës së urrejtjes” përkatësisht përdorimit të termit pezhorativ “shiptari”.

Deputeti Kamberi tha përmes një postimi në Facebook se refuzimi i gjykatës për të shpallur fajtor Vullinin “i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti”.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, edhe në kohën kur ka qenë ministër i Mbrojtjes, disa herë në paraqitjet e tij e ka përdorur termin pezhorativ “shiptari”. Vullin iu kishte përgjigjur kritikave për përdorimin e këtij termi, duke thënë se “ai do të vazhdonte t’i quante shqiptarët ashtu siç e quajnë ata veten”.

Partia Lëvizja Socialiste, të cilën e udhëheq Vullin, tha më 9 shkurt se fitorja e Vullinit në gjykatë dëshmoi se ai nuk ka fyer dhe diskriminuar.

Për përdorimin e këtij termi është zhvilluar një proces gjyqësor në Serbi.

Në fund të vitit 2018, Gjykata e Apelit në Beograd konfirmoi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Lartë në Beograd mbi padinë e Anita Mitiq, një ish-aktiviste e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, kundër tabloidit “Informer”. Gjykata sanksionoi përdorimin e termit “Shiptar” si gjuhë urrejtjeje. Ekziston edhe mendimi i Komisioneres për Mbrojtjen e Barazisë, Bërnakica Jankoviq, sipas së cilës, thirrja e popullit shqiptar “Shiptar” është nënçmuese dhe fyen anëtarët e asaj kombësie.

Ajo gjashtë vjet më parë paraqiti mendimin se dy tabloide në Serbi, shkelën Ligjin për Ndalimin e Diskriminimit sepse ata i quanin shqiptarët “Shiptari”. rel

Biserko: Vuçiq e kupton shumë mirë politikën e Bidenit dhe e di se ajo do të zbatohet

“Kjo është një politikë që Vuçiq e kupton shumë mirë dhe e cila do të zbatohet në Ballkan dhe Serbi, veçanërisht në periudhën e ardhshme”.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, beson se askush nuk mund të habitet nga letra e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, sepse një politikë e tillë u paralajmërua kur ai i fitoi zgjedhjet. Ajo thotë se Biden i kujtoi Serbisë detyrimet e saj në dialog me Kosovën, transmeton Gazeta Express.

“Kishte shumë deklarata nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, ai është i rrethuar nga njerëz që e njohin mirë Ballkanin”, i tha Biserko RTK-së në gjuhën serbe.

“Kjo është adresimi i parë me shkrim drejtuar Serbisë zyrtare për të thënë urime për festën dhe atë që ata presin nga ajo në të ardhmen. Kjo është një politikë që Vuçiq e kupton shumë mirë dhe e cila do të zbatohet në Ballkan dhe Serbi, veçanërisht në periudhën e ardhshme”, thekson Biserko.

Siç thotë ajo, kjo është një periudhë pritjeje për të filluar politika aktive e SHBA-së dhe BE-së për çështjen e Kosovës, por edhe të rajonit.

Sipas saj, Kosova mbahet e hapur si një çështje që as opozita dhe as qeveria serbe nuk do ta heqin, për sa kohë që ata mund të mobilizojnë mbështetje në zgjedhje dhe për çdo situatë në të cilën nevojitet homogjenizimi i kombit serb.

Ajo vlerësoi se nuk pritet përparim në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e BE-së, kryeissht për shkak të zgjedhjeve në Kosovë.

Të premten, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, vendosi t’ia shkruante një letër urimi presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit, me rastin e 15 shkurtit, ditës së shtetësisë së Serbisë. Kjo letër që mbërriti të dielen në Presidencën serbe, ndonëse kishte brenda urime të përzemërta të presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë, përmbante edhe një fjali, e cila ia prishi ditën kreut të Serbisë.

Në një mënyrë aspak të zakontë në diplomaci, me anë të një letre urimi, që ishte e para e tij si president, drejtuar Serbisë, Joe Biden i kërkoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Vuçiq del nga takimi me Macronin me një ide për “zgjidhje inovative” me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq sot ka qëndruar në Pallatin Elysee në Paris, ku për rreth 4 orë ka zhvilluar një takim me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ku temë kryesore ka qenë dialogu Kosovë-Serbi, transmeton Gazeta Express.

Vuçiq tha se ia shpjegoi Macronit pozicionin e Serbisë në dy bisedat që tha se u zhvilluan në “katër sy”, ndërsa përmendi “gjetjen e një zgjidhjeje inovative” lidhur me problemin me Kosovën.

“Ne kryesisht biseduam për marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, i tregova se cili është pozicioni i Serbisë. Unë besoj se do të kemi mbështetje serioze nga Franca në rrugën evropiane. Franca do ta mbështesë Serbinë në rrugën evropiane dhe unë besoj në gjetjen e zgjidhjeve inovative të kompromisit për Kosovën dhe Metohinë”, tha ai.

Lidhur me Kosovën, Vuçiq deklaroi se është e nevojshme që pala kosovare ta kuptojë se dialogu “nuk është një pus dëshirash”.

“Unë nuk shoh asgjë që mund të na sjellë më pranë një dialog serioz. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për bisedime, por çdo marrëveshje kërkon dy palë që përpiqen, por për momentin nuk shoh palë tjetër”, tha ai.

Ai tha se Macron do ta vizitojë Serbinë në shtator ose tetor.

“Do të jetë një vizitë e madhe, do të kemi shumë kontrata për të nënshkruar”, tha ai. /Express/

Vuçiçi: Pres idetë origjinale të Makronit për marrëveshjen me Kosovën

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq shikojnë një glob gjatë takimit të tyre në Pallatin Presidencial, Beograd, 15 korrik 2019.

Në prag të takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se zgjidhja e problemit të Kosovës nuk është çështje e lehtë për Serbinë, por shpreson se në fund të procesit do të arrihet një zgjidhje kompromisi e cila do të jetë e pranueshme për dyja palët.

“Që të gjithë duhet të bëjmë gjithçka të arrijnë deri te një zgjidhje kompromisi për të dyja palët. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëgjoj nga Macron idetë e tij origjinale dhe të përparuara për të arritur pranë marrëveshjes. Do ta prezentoj në mënyrë të sinqertë platformën tonë dhe jam i sigurt se me udhëheqjen e tij ne do të arrijmë rezultate në periudhën e ardhshme”, tha presidenti Vuçiq.

Presidenti serb në profilin e tij në Instagram tha se me homologun e tij francez do të bisedojë për tri tema: zgjidhjen për Kosovën, integrimet evropiane të Serbisë dhe bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Takimi pritet të mbahet të hënën (1 shkurt) në Paris.

Edhe presidenti Macron gjatë një adresimi para gazetarëve në Paris ka thënë se në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit është e rëndësishme që të arrihet një zgjidhje për të cilën bien dakord të dyja palët.

“Në këtë çështje, të vetmet zgjidhje që çojnë në përpara, janë zgjidhjet për të cilat të dyja palët pajtohen, dhe të cilat do të na mundësonin të zgjidhim përfundimisht këtë çështje të rëndësishme që është në zemër të Evropës”, ka thënë Macron.

Ai u tha gazetarëve se ai gjithashtu do të angazhohej dhe do të siguronte mbështetje për të gjithë ata që janë të interesuar në zgjidhjen e çështjes së marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Bisedimet e fundit të tyre, Vuçiq dhe Macron i kanë pasur në korrik të vitit 2020 kur u mbajt një video-samit për Kosovën dhe Serbinë, i organizuar nga Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Macron zhvilloi një vizitë dy-ditore në Serbi më 15 korrik 2019.

Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

Takimi i fundit ndërmjet krerëve shtetërorë të këtyre vendeve është zhvilluar në shtator të vitit të kaluar. Prej atëherë, nuk është mbajtur takim i nivelit të lartë.

Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.

 

Greqia nënshkroi marrëveshje me Francën për blerjen e avionëve luftarakë

Athinë

Greqia nënshkroi sot marrëveshje me vlerë disa miliardë eurosh me Francën për blerjen e 18 avionëve luftarakë Rafale të prodhuar nga Dassault. transmeton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja prej 2,5 miliardë eurosh u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Panagiotopulos, dhe homologia i tij franceze, Florence Parly në Ministrinë e Mbrojtjes.

Panagiotopulos theksoi se blerja e avionëve luftarakë “është një moment historik në bashkëpunimin e mbrojtjes dhe marrëdhëniet midis Greqisë dhe Francës”, duke shtuar se Forca Ajrore Greke janë forcuar ndjeshëm.

Gjashtë avionët e parë të rinj do të mbërrijnë në Bazën e Forcave Ajrore “Tanagra” në korrik.

“Vendet tona ndajnë shumë gjëra të përbashkëta”, tha Parly, duke theksuar se shpreson që Marina Greke do të blejë anije franceze në kontekstin e rinovimit të flotës së saj.

“Franca së shpejti do t’i ofrojë Greqisë propozime për të rinovuar flotën e saj të fregatave”, shtoi ajo.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se blerjet e fundit ushtarake të Greqisë nuk janë kërcënim për asnjë vend tjetër.

“Në fund të fundit, mburoja e Greqisë nuk ka qenë kurrë një rrezik për një vend tjetër. Përkundrazi, ajo ka qenë gjithmonë një faktor sigurie në rajonin e gjerë”, tha ai pas takimit me ministren Parly.

Greqia planifikon të blejë 6 avionë të rinj Rafale dhe 12 avionë të përdorur nga Franca dhe do të shpenzojë 400 milionë euro për pajisjet e nevojshme.

Buxheti grek i mbrojtjes parashikohet të arrijë rreth 5,5 miliardë euro, më shumë se dyfishi i shpenzimeve të vitit të kaluar.

Pavarësisht vështirësive ekonomike, Greqia shpenzoi 2,3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtje në vitin 2019.

Greqia ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar forcat e saj ushtarake dhe kapacitetin mbrojtës, ndërsa në muajin maj pritet që shërbimi i detyrueshëm ushtarak në forcat tokësore të zgjatet nga 9 në 12 muaj.

SHBA përshëndet rifillimin e bisedimeve midis Turqisë dhe Greqisë

Washington

SHBA ka përshëndetur raundin e parë të bisedimeve midis Greqisë dhe Turqisë pas pothuajse pesë viteve, të cilat kanë për qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të energjisë dhe kufirit në Mesdheun Lindor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në llogarinë e tij në twitter, zëdhënësi i Departmentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, njoftoi se SHBA përshëndet “rifillimin e bisedimeve mbi eksplorimet sot në Stamboll midis Greqisë dhe Turqisë, si dhe angazhimin e të dy qeverive për këtë proces”.

Sot më herët përfunduan bisedimet në Dolmabahçe në Stamboll, ndërsa burime diplomatike turke për AA njoftuan se negociatat përfshinin diskutime të çështjeve të pazgjidhura nga negociatat e mëparshme, si dhe situatën aktuale, zhvillimet e fundit dhe hapat e mundshme që do të ndërmerren para raundit tjetër që do të mbahet në Athinë.

Më 11 janar, ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ftoi Greqinë për të rifilluar bisedimet, ndërsa kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, një javë më vonë pranoi ftesën.

Bisedimet mbi eksplorimet midis Turqisë dhe Greqisë, të destinuara për të arritur zgjidhje të drejta për çështjet në Egje, filluan në vitin 2002. Pas raundit të 60-të të bisedimeve në mars të vitit 2016, Athina pezulloi takimet.

Turqia, e cila ka vijën bregdetare më të gjatë kontinentale në Mesdheun Lindor, ka mohuar pretendimet e kufijve detarë nga Greqia dhe Qiproja Greke, duke theksuar se ato shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe Qipros Turke.

Ankaraja vitin e kaluar dërgoi disa anije të shpimit për të kërkuar burime të energjisë në Mesdheun Lindor, duke pohuar të drejtat e saj në rajon, si dhe ato të Qipros Turke.

Liderët turq në vazhdimësi kanë theksuar se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.

Ish-komandanti i ushtrisë boshnjake dënohet për krime lufte

Gjykata e Sarajevës e ka dënuar me 10 vjet burgim një ish-komandant të ushtrisë boshnjake, pasi erdhi në përfundimin se ai ka dështuar të ndalojë vrasjet dhe torturat e kryera nga luftëtarët vullnetarë islamikë të cilët u bashkuan me trupat e tij gjatë luftës së Bosnjës më 1992-1995.

Gjykata tha se Sakib Mahmulin, 68 vjeç, ishte fajtor për vdekjen e më shumë se 50 të burgosurve etnikë serbë në rajonet veri-lindore të Vozuçës dhe Zavidoviçit më 1995.

Viktimat u vranë nga anëtarët e grupit “El Mujahid”, një njësi famëkeqe e vullnetarëve islamikë kryesisht të huaj nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme, megjithëse kishte edhe nga disa vende perëndimore.

Gjykata tha se krimet e kryera nën vëzhgimin e Mahmulin përfshinin tortura ndaj robërve të luftës, disa prej të cilëve u plagosën dhe disa civilë. Mahmulin u arrestua në dhjetor të vitit 2015, por më pas u lirua me kusht.

Padia ndaj tij u ngrit më 7 janar të vitit 2016.

Mahmulin është një nga zyrtarët e lartë të ushtrisë myslimane të Bosnjës që është dënuar për luftën e viteve 1992-1995 nga e cila mbetën të vdekur më shumë se 100.000 njerëz.

Avokatët e tij mbrojtës thanë gjatë gjykimit se ai “nuk kishte kontroll efektiv mbi njësinë”. Vendimi mund të apelohet.

Shumica e luftëtarëve të huaj islamikë që iu bashkuan luftës në Bosnje u larguan pas përfundimit të saj. rel

Karakaçanov: Maqedonia e Veriut, pjesa më tragjike e historisë bullgare

Isuf Kadriu

Zëvendëskryeministri i Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov ka përjashtuar çdo mundësi që Sofja të heqë dorë nga kërkesat e saj në raport me Maqedoninë e Veriut, në veçanti në pjesën që ka të bëjë me identitetin e maqedonasve.

“Ne nuk duam që ata të heqin dorë nga identiteti i tyre. Ne duam diçka shumë të thjeshtë: Të jenë të mirë dhe të thonë se identiteti i tyre u krijua kur për të u krijuan kushtet”, ka theksuar Karakaçanov duke aluduar në atë se maqedonasit para vitit 1944 kanë qenë bullgarë apo se para kësaj periudhe nuk kanë ekzistuar si komb.

“Atje (në Maqedoninë e Veriut) edhe sot, përskaj gjithë peripecive të kohë, edhe përkundër terrorit që u vendos pas vitit 1994 në Jugosllavinë e Titos, ka ende shumë njerëz që e quajnë veten bullgarë. Ne kemi një detyrim moral dhe historik ndaj këtyre njerëzve”, ka theksuar Karakaçanov në një intervistë për televizionin bullgar (BTV).

Zëvendëskryeministri bullgar ka thënë se Sofja nuk ka mbyllur dyert e Evropës për Maqedoninë e Veriut, por se maqedonasit duhet të korrigjojnë politikën e tyre, pasi sipas tij, zgjidhja e çështjeve të hapura me Maqedoninë e Veriut është e një rëndësie strategjike.

“Ish-presidenti Petar Stojanov ka thënë se ajo (Maqedonia e Veriut) është pjesa më romantike, por unë do të shtoja pjesën më tragjike të historisë sonë… Kryeministri (maqedonas, Zoran) Zaev dëshiron kompromis, por kur bën një kompromis me politikanët e Maqedonisë së Veriut, ata nuk e shohin atë si një gjest fisnikërie, por si një dobësi. Bisedimet do të vazhdojnë, por Bullgaria nuk e ka ndërmend të ndryshojë ndonjë nga kërkesat e saja”, ka deklaruar zyrtari bullgar.

Por, edhe zyrtarët maqedonas kanë drejtuar kritika ndaj Bullgarisë duke e akuzuar për shkeljen e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, të arritur më 2 gusht, 2017. Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski ka thënë në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA, se plani aksional që ka hartuar Sofja del jashtë kornizës së marrëveshjes.

“Tani disa muaj, sjellja e palës bullgare ka dalë jashtë kornizës së Marrëveshjes (për fqinjësi të mirë)… Propozimi nga pala bullgare ndaj planit tonë aksional nuk i përgjigjet një pjese të kërkesave tona. Ata kanë imponuar edhe ato çështje që kanë të bëjnë identitetin e popullit maqedonas. Ne atë nuk e kërkojmë. Mund të bisedojmë çdo gjithçka tjetër, por sigurisht nuk do të bisedojmë për atë se cilët dhe çfarë jemi”, ka deklaruar Pendarovski.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë tensionuar raportet që nga nëntori i vitit të kaluar, kur Sofja përdori veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke i pamundësuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Alarm në Beograd- Vuçiç nën përgjim prej 18 muajsh, shërbimet e inteligjencës serbe nisin me urgjencë hetimin

BEOGRAD

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka zbuluar se ai ishte përgjuar për një vit e gjysmë.

Në një intervistë për “Kurir“, ai gjithashtu tha se e dinte kush qëndron pas saj dhe se besonte se autoritetet kompetente do ta hetonin këtë.

Ekspertët e sigurisë thonë se është i nevojshëm një hetim urgjent dhe i plotë, raporton gazeta serbe.

Vuçiç gjithashtu deklaroi se ka si prova për pretendimet e tij – bisedat e tij të regjistruara.

Ekspertët e sigurisë thonë se është i nevojshëm një hetim urgjent dhe i plotë, raporton gazeta serbe.

Kroaci, shumë familje pas tërmetit natën e kaluan në automjete dhe tenda

Dëmin më të madh material tërmeti i shkaktoi Petrinjës, ku humbi jetën një vajzë 13-vjeçare në Majske Poljane afër Glinës, përveç dëmeve materiale, pesë persona humbën jetën, ndërsa në Lekenik një person, raporton Anadolu Agency (AA).

Dëmin më të madh material tërmeti i shkaktoi Petrinjës, ku humbi jetën një vajzë 13-vjeçare në Majske Poljane afër Glinës, përveç dëmeve materiale, pesë persona humbën jetën, ndërsa në Lekenik një person. Sipas të dhënave të disponueshme deri tani, 26 persona u lënduan rëndë dhe janë vendosur në spital.Foto: Marica Pavloviç ( Stipe Majic – Anadolu Agency )

Sipas të dhënave të disponueshme deri më tani, 26 persona u lënduan rëndë dhe janë vendosur në spital.

Në qytetin e Petrinjës, pothuajse asnjë ndërtesë nuk mbeti e padëmtuar, kryesisht oxhaqet kanë rënë, duke shembur një pjesë të pllakave dhe çatisë, ndërsa më pas edhe muret.

Kryetari i Komunës së Petrinjës, Darinko Dumboviç tha se qytetarët kaluan dy net pa gjumë, duke marrë parasysh që tërmeti i parë goditi këtë qytet pardje, ndërsa më i forti ndodhi dje rreth orës 12:19, me fuqi prej 6.2 ballë sipas Rihterit me epiqendër vetëm 5 kilometra larg qytetit.

“Kur ndodhi tërmeti i parë, menduam se mund të kishim vetëm një tërmet më të dobët, jo më të fuqishëm”, tha Dumboviç, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.

“Së pari ne u përpoqëm t’i nxirrnim njerëzit nga rrënojat. Ne dje nxorrëm një 21-vjeçar i cili ishte bllokuar në Administratën e Qytetit. Për tre orë e nxorrëm, qentë e zbuluan dhe ne e gjetëm atë përmes telefonit celular”, tha ai.

Rreth 100 persona nga Petrinja u kujdesën në Popovaç ndërsa mbi 300 prej tyre në kazermat lokale, konfirmoi Dumboviç.

Në Petrinjë dhe vendet përreth po arrijnë një numër i madh i njerëzve që dëshirojnë të ndihmojnë në sanimin e dëmeve. Arritën anëtarët e grupeve tifoze dhe veteranë kroatë në pension nga Zagrebi, Lika dhe vendet e tjera kroate.

Dumboviç u bëri thirrje qytetarëve që dëshirojnë të ndihmojnë atë ta bëjnë në mënyrë të organizuar, në marrëveshje me Mbrojtjen Civile meqë, theksoi ai, të gjithëve që arrijnë duhet t’u sigurohet vendosje.

Petrinja sipas regjistrimit të fundit ka pasur 21.500 banorë. Kryetari i Komunës theksoi se pjesa më e madhe e qytetarëve nuk dëshirojnë të braktisin shtëpitë e tyre, ndonëse arritën thirrjet deri te banorët e Petrinjës dhe të gjithëve që objektet u janë dëmtuar nga dridhja, që të vendosen në hotele, apartamente dhe shtëpi të cilat qytetarët nga solidariteti i lëshuan në disponim.

Shumica e qytetarëve kaluan natën në automjete ose tenda, jashtë, disa ndiznin zjarr për t’u ngrohur pas shiut që binte gjatë natës, meqë edhe ata shtëpitë e të cilëve janë të padëmtuar kanë frikë të flenë para se të vlerësohet gjendja e objektit.

Njëra prej tyre është Marica Pavloviç, një banore e moshuar në Petrinja, e cila është ulur në parkun e qytetit me burrin e saj dhe kërkon që vlerësohet nëse ndërtesa e saj është e sigurt për të jetuar, duke qenë se ajo është një nga disa ndërtesat e ruajtura në qendër.

“Në ndërtesë nuk guxojmë të hyjmë sepse gjithçka është shembur, muret janë plasaritur, gjithçka është thyer, çfarëdo që kemi. Jemi duke pritur për statikën, se kur do të vijë, nuk dihet. Nuk fjetëm, thjesht u ulëm me një shoqe dhe nuk dimë çfarë të bëjmë”, tha Marica dhe shtoi se as ajo dhe as burri i saj nuk do të braktisnin qytetin.

“As nuk kemi për të ngrënë, as nuk kemi asgjë për të veshur sepse nuk na lejohet të hyjmë në banesë dhe të paktën të pastrojmë dhe të marrim disa gjëra”, tha ajo.

Majske Poljane, fshati me 5 viktima

Gjatë rrugës për në fshatin Majske Poljana, afër epiqendrës së tërmetit, situata nuk është aspak më e mirë, por këto janë kryesisht shtëpi më të reja në krahasim me qytetin e vjetër të Petrinjës, të cilat ishin kryesisht të dëmtuara.

Në Majske Poljane, një fshat jo larg Glinës, disa shtëpi u rrafshuan me tokën, përfshirë Shtëpinë e Kulturës atje.

Bëhet fjalë kryesisht për popullatë të moshuar, sipas vlerësimeve lokale midis 250 dhe 300, kryesisht që merren me blegtori dhe bujqësi.

Familja e Vasilj Kukoleça nxori një tryezë përpara shtëpisë gjysmë të rrënuar në të cilën shtroi produktet e mishit të thatë, pranë tryezës ishte ndezur gjeneratori në mënyrë që të mund të ndiznin furrën e vendosur gjithashtu në livadhin e lagur në oborr.

Këtij banori të moshuar në Majske Poljane i cili nuk dëshiron të largohet nga shtëpia e tij, megjithëse nuk është më në gjendje të banohet, i erdhi në ndihmë djali i tij që jeton në Beograd.

“Natën e kaluam në automjet. Ne shpëtuam, u fshehëm dhe ka nga ata që nuk arritën të shpëtonin veten, të cilët u varrosën”, thotë Kukoleça, i cili u gjet në shtëpi nga tërmeti i djeshëm.

Ai pret që ushtria kroate të vendos një tendë të nxehtë në oborrin e shtëpisë së tij sepse nuk dëshiron të lërë bagëtinë dhe pronën e tij.

Në këtë fshat, pësuan babai dhe biri, një banor i ri 20-vjeçar, një 30-vjeçar dhe një person i moshuar, tha një banor i ri, Dragisha Lonçarevicç.

“Kemi pesë jetë të humbura në rrënoja. Kjo është tragjedia më e madhe, ndërsa dëmin material do ta rregullojmë. Shtëpitë e padëmtuara mund të numërohen në gishtat e njërës dorë, trafostacionet janë shkatërruar. Njerëzit do të duhet të pranojnë shtëpitë e zëvendësimit sepse nuk mund të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, ata flenë gjatë natës në automjete”, thotë Lonçareviq.

Ushtria e Kroacisë mbërriti në terren për të ndihmuar qytetarët me makineri ndërtimi, ngriti çadra për njerëzit shtëpitë e të cilëve u dëmtuan dhe shpërndau ujë të pijshëm dhe gjeneratorë.

Tërmete të reja në Kroaci

VOA

Një seri tërmetesh tronditën Kroacinë qendrore të mërkurën, një ditë pasi një tërmet me fuqi prej 6.4 shkallësh la pas vetes të paktën shtatë të vdekur, dhjetëra të plagosur dhe disa qytete e fshatra të rrënuara.

Lëkundja më e fortë, me fuqi prej 4.7 shkallësh u regjistrua të mërkurën herët në afërsi të qytetit të dëmtuar rëndë, Petrinja, rreth 40 kilometra në juglindje të kryeqytetit kroat, Zagreb.

Shumë njerëz e kaluan natën në tenda, në makinat e tyre apo në kazermat ushtarake.

Shiu që ra gjatë natës në zonë e ktheu pluhurin nga rrënojat në baltë, duke e bërë situatën edhe më të vështirë.

Ekipet e shpëtimit kaluan natën duke kërkuar nëpër rrënojat e ndërtesave të dëmtuara rëndë në kërkim të të mbijetuarve të mundshëm.

Zyrtarët thanë se një vajzë 12-vjeçare vdiq në Petrinja, një qytet me rreth 25 mijë banorë.

Pesë viktima të tjera u gjetën në një fshat afër Glinës që ishte dëmtuar rëndë.

Më pas ekipet e shpëtimit thanë se e gjetën viktimën e shtatë në rrënojat e një kishe në fshatin Zazina.

Të paktën 26 persona po trajtohen në spitale.

Tërmeti i së martës, i cili ishte më i fuqishmi në Kroaci që nga futja në përdorim të sistemit modern të matjes sizmike, u ndje në të gjithë rajonin, duke përfshirë Bosnjën, Serbinë dhe Slloveninë fqinje, e cila mbylli centralin e vetëm bërthamor në Kërshko si një masë paraprake.

Të hënën, një tërmet me magnitudë 5.2 goditi Kroacinë qendrore, gjithashtu pranë Petrinjës.

Kosova e gatshme të ndihmojë Kroacinë

Në Kosovë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, shprehën gatishmërinë për të mbështetur Kroacinë në përballjen me pasojat e tërmetit.

Zonja Osmani i shkroi presidenti kroat, Zoran Milanoviç, duke i ofruar mbështetje përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa zoti Hoti, në një letër dërguar kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviç, tha po ashtu se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme ta ndihmojë Kroacinë.

Në mars, një tërmet me magnitudë prej 5.3 shkallësh tronditi Zagrebin, duke shkaktuar një të vdekur dhe duke plagosur 27 të tjerë.

Gjashtë të vdekur nga tërmeti në Kroaci

Nga një tërmet i fuqishëm që goditi Kroacinë të martën, një vajzë 12 vjeçe vdiq në qytetin Petrinje, ndërsa trupat e pajetë të pesë personave të tjerë u nxorën nga rrënojat në qytetin Glina, njoftuan autoritetet kroate.

“Një vajzë ka vdekur, qyteti i Petrinjës na ka informuar”, tha kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, teksa dha informacionet e para për pasojat e tërmetit prej 6.2 shkallësh të Richterit.

Kryebashkiaku i Glinës, Stjepan Kostanjeviq, tha fillimisht se trupat e katër personave të vrarë në tërmet, janë nxjerrë nga rrënojat në këtë qytet.

Pak kohë më vonë, ministri i Mbrojtjes, Tomo Medved, njoftoi se pesë njerëz të vdekur janë gjetur në Glinë.

“Fatkeqësisht, këtu në Glinë, si rezultat i këtij tërmeti shkatërrues, kemi viktima të mëdha. Këtu në Majska Polana, tani kemi pesë të vdekur. Me një vajzë nga Petrinja, janë gjithsej gjashtë vetë që vdiqën në tërmet”, tha ministri Medved gjatë vizitës në Glinë.

Tërmeti është ndjerë pas orës 12:00 në kryeqytetin kroat, Zagreb, por edhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi.

Qendra Seizmologjike Euro-mesdhetare (EMSC) konfirmoi se fuqia e tij ishte 6.4 shkallë të Rihterit.

Sipas EMSC, epiqendra ishte 46 kilometra në juglindje të Zagrebit.

Kryqi i Kuq tha se në qytetin e Petrinjës, 58 kilometra nga Zagrebi, situata është shumë serioze dhe se ekipet e tij janë në terren.

Një tërmet i fuqishëm goditi Kroacinë. Ai është ndjerë pas orës 12:00 në kryeqytetin Zagreb, por edhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi. Qendra Seizmologjike Euro-mesdhetare (EMSC) ka raportuar se fuqia e tij ishte 6.4 shkallë të Rihterit. Viktima e parë është një vajzë në Petrinjë. Sipas EMSC, epiqendra ishte 46 kilometra në juglindje të Zagrebit. Kryqi i Kuq tha se në qytetin e Petrinjës, 58 kilometra nga Zagrebi, situata është shumë serioze dhe se ekipet e Kryqit të Kuq janë në terren.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha se do të duhen fonde të mëdha për të rindërtuar qytetin e Petrinjës.

“Vitin e kaluar Durrësi dhe ky është praktikisht një tërmet me fuqinë e njëjtë. Do të duhen shumë para. Kjo do të kalojë përmes Bashkimit Evropian. Nuk shqetësohem, ky qytet do të rindërtohet, por askush nuk mund të kompensojë dëmin emocional. Petrinja do të rindërtohet me para nga BE-ja”, tha Millanoviq.

EMSC tha se ky është tërmeti më i fortë që ka goditur Kroacinë këtë vit dhe se tërmetet e kësaj fuqie mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme pranë epiqendrës.

Ministria e Punëve të Brendshme bëri thirrje për përmbajtje dhe të respektohen masat kundër koronavirusit edhe në vendet e hapura.

Centrali bërthamor në Krshko të Sllovenisë është mbyllur si masë paraprake, tha të martën zëdhënësja e uzinës.

“Unë mund të konfirmoj mbylljen si masë parandaluese”, i tha AFP -së Ida Novak Jerele.

Një ditë më herët (28 dhjetor) një tërmet më i butë, prej 5.2 shkallësh të Richterit, dridhi pjesën qendrore të Kroacisë dhe kryeqytetin e saj, Zagreb, duke shkaktuar dëme në disa ndërtesa.

Tërmeti u pasua nga një dridhje tjetër, me fuqi prej 4.9 shkallësh.

Në muajin mars, një tjetër tërmet prej 5.3 shkallësh të Richterit shkaktoi dëme të konsiderueshme në Zagreb. Një person vdiq dhe së paku 27 u plagosën. rel

Tërmet i fuqishëm në Kroaci, dëmtime dhe lëndime

Marrë nga Reuters

Një termet me magnitudë 6.4 goditi Kroacinë të martën, ndërsa shërbimet emergjente njoftojnë se shumë njerëz janë lënduar. Filmimet tregojnë njerëz që shpëtohen nga rrënojat pranë epiqendrës së tërmetit.

Qendra Gjermane për Kërkime Gjeoshkencore (GFZ) thotë se termeti goditi në një thellësi prej 10 kilometrash. Kanali televiziv N1 njoftoi se epiqendra ishte në qytetin Petrinja, rreth 50 kilometra nga kryeqyteti Zagreb. Autoritetet njoftojnë se një vajzë e vogël humbi jetën.

Pamjet televizive tregonin ekipet e shpëtimit teksa nxirrnin nga rrënojat një burrë dhe një fëmijë. Që të dy ishin gjallë. Pamje të tjera tregonin një shtëpi që i kishte rënë çatia brenda, ndërsa gazetarja thotë se nuk dihet nëse kishte njerëz brenda.

Tomislav Fabijanic, i cili drejton sherbimin mjekësor të urgjencës në Sisak pranë qytetit Petrinja, tha se kishte shumë të plagosur në të dy qytetet.

“Ka njerëz me fraktura dhe tronditje dhe disa duheshin operuar,” tha ai.

Agjencia sllovene e lajmeve STA tha se centrali i vetëm bërthamor i Sllovenisë, i cili ndodhet 100 kilometra nga epiqendra e termetit, ishte mbyllur si masë paraprake.

Lëkundjet u ndjenë në Zagreb, ku njerëzit dolën me shpejtësi nëpër rrugë, disa prej të cilave ishin mbuluar nga tjegullat e thyera të çative dhe mbeturina të tjera. Termeti u ndje edhe në Bosnjë dhe Serbi.

Të hënën një termet me magnitudë 5.4 goditi Kroacinë qendrore, po ashtu pranë qytetit Petrinja. Në muajin mars, një termet me magnitudë 5.3 goditi Zagrebin duke shkaktuar një të vdekur dhe plagosur 27 të tjerë.

Parlamenti malazez miraton ndryshimin e Ligjit për Liritë Fetare

Protesta para Parlamentit të Malit të Zi për shkak të votimit të ndryshimeve në Ligjin për Liritë Fetare më 28 Dhjetor 2020

Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Liritë Fetare. Pro ndryshimeve votuan 41 deputetë të shumicës qeverisëse. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në punën e parlamentit, pasi ishin të pakënaqur me ndryshimet e propozuara në ligj.

Këto ndryshime u hartuan nga Qeveria e re malazeze, me kërkesë të Kishës Ortodokse Serbe.

Të hënën mbështetësit e opozitës kanë zhvilluar protesta në kundërshtim të ndryshimeve në këtë ligj. Ligji për Liritë Fetare është miratuar nga qeveria e kaluar, e udhëhequr nga Markoviq, në fund të vitit 2019.

Me këtë ligj, objektet dhe tokat fetare që kanë qenë të shtetit deri në vitin 1918, do t’i kalojnë shtetit nëse nuk ka prova se ato janë fetare. Që nga miratimi i këtij ligji, Kisha Ortodokse Serbe dhe opozita e atëhershme kanë organizuar protesta, të cilat kanë rezultuar edhe me ndryshim të Qeverisë malazeze.

Kisha thoshte se me këtë ligj, shteti dëshiron t’ia marrë pronën.
Çfarë ndryshimesh janë bërë në ligji?

Ndryshimet e miratuara fshinë nenet nga versioni i mëparshëm i Ligjit për Liritë Fetare në të cilat përcaktohej se “të gjitha ndërtesat fetare që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore dhe ishin pronë e shtetit të Malit të Zi para humbjes së pavarësisë së tij më 1918 dhe që më vonë nuk janë bërë pronë e një komuniteti fetar në mënyrë të përshtatshme ligjore, do të njihen si pronë e shtetit”.

Ky nen ishte i papranueshëm për Kishën Ortodokse Serbe, e cila menjëherë pas miratimit të versionit të parë të ligjit, në dhjetor 2019, nisi protesta të gjera, me mbështetjen e shumicës së opozitës së atëhershme, duke besuar se Partia Demokratike e Socialistëve që atëbotë ishte në pushtet, po përpiqej të “vidhte pronën e kishës” me ligj.

Ndryshimet e reja në ligj gjithashtu shfuqizuan dispozitën ku parashihej që një komunitet fetar duhet të regjistrohet, e cila ishte gjithashtu një nga pikat që Kisha Ortodokse Serbe e kundërshtoi me forcë.

Dy ndryshime të Lëvizjes Qytetare URA u bënë pjesë integrale e ligjit të miratuar, që bashkësitë fetare qendrat e të cilave janë jashtë vendit dhe të cilat nuk janë regjistruar në regjistra, janë të detyruar të veprojnë brenda rendit ligjor të Malit të Zi. rel


Send this to a friend