VOAL

VOAL

Rajoni përgatitet për festën e Kurban Bajramit

Shkup / Tiranë / Prishtinë

Besimtarët myslimanë në vendet e rajonit vijojnë me përgatitjet e fundit për festimin e festës së Kurban Bajramit.

Anadolu Agency (AA) ka përpiluar informacione rreth përgatitjeve të festës së Kurban Bajramit në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë.

Maqedoni e Veriut

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, besimtarët myslimanë të cilët kanë mundësi të therin kurban me rastin e Kurban Bajramit, vizituan tregun e bagëtive në periferi të qytetit.

Shitësit e kurbaneve, duke mos dashur të prononcohen para kamerës, thanë se këtë vit autoritetet nuk kanë lejuar shitblerjen në lokacionet tradicionale brenda qytetit, ndërsa u ankuan për kushtet e pafavorshme në tregun e bagëtive. Sipas tyre, kjo ka ndikuar paksa në uljen e interesimit.

Sivjet, çmimi i kafshëve të vogla është 120 deri në 300 euro, ndërsa kafshët e mëdha shiten nga 700 deri në 1.200 euro.

Ndërkohë, nga Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale-Shkup” kanë bërë të ditur se edhe sivjet, në vendbanimet ku festohet Kurban Bajrami, janë vendosur kontejnerë të posaçëm ku besimtarët muslimanë do të mund të hedhin mbetjet e kurbanëve.

Shqipëri

Besimtarët myslimanë në Shqipëri vazhdojnë përgatitjet për pritjen e festës së Kurban Bajramit, duke u kujdesuar për kurbanin, por edhe për blerjen e produkteve të ndryshme.

Në prag të festës, tregu i bagëtive i Qarkut të Tiranës frekuentohet më shumë, ndërsa besimtarët blejnë kafshët për kurbane për familjen e tyre, por edhe për të ndihmuar familjet në nevojë.

Prej disa ditësh vazhdojnë përgatitjet për blerjen e kurbanit, ndërkohë çmimi i përcaktuar i kurbanit për këtë vit është 130 euro për bagëtitë e imëta, njëjtë sa viti i kaluar.

Nga ana tjetër, tregu “Pazari i Ri” në Tiranë në prag të Kurban Bajramit është më i frekuentuar nga qytetarët, të cilët blejnë produktet nga më të ndryshmet, nga ato tradicionale, por edhe të tjera.

Ndërkohë, programi qendror për faljen e namazit të Kurban Bajramit në Shqipëri do mbahet në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Kosovë

Qytetarët në të gjitha vendet e Kosovës po bëjnë përgatitjet e fundit para festës së Kurban Bajramit.

Ardhja e një pjese të madhe të mërgimtarëve në vend, moti me shi dhe nevoja për t’i blerë gjërat e nevojshme për këtë festë ka shkaktuar fluks dukshëm më të madh nëpër rrugët e Kosovës në prag të festës, sidomos në kryeqytet, Prishtinë.

Në tregun e bagëtive në lagjen “Vranjevc” të Prishtinës, interesimi i qytetarëve për të blerë kurban, sipas tregtarëve, gjatë këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, ka qenë më i madh.

Kjo si pasojë se gjatë vitit të kaluar, kishte masave të vendosura të cilat përfshinin edhe kufizime për prerjet e kafshëve, për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Çmimet për një dele në këtë treg varijojnë nga 120 euro deri në 250 euro, ndërsa më së shpeshti blihen delet me çmimet më të ulëta dhe ato mesatare.

Përballë protestave në Turqi, Presidenti Erdogan bën një gjest të rrallë tërheqjeje

Studentët e Universitetit Bogazici duke protestuar kundër Presidentit Recep Tayyip Erdogan

Dorian Jones

STAMBOLL – Pas muajsh protestash nga profesorët dhe studentët, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka bërë një hap pas duke hequr rektorin e debatueshëm që kishte imponuar në krye të universitetit kryesor të Stambollit. Universiteti Bogazici konsiderohet si qendra e mendimit liberal dhe lirisë akademike.

Profesorët e universitetit duartrokitën ndërsa në sfond luhej muzikë për të festuar shkarkimin e rektorit Melih Bulu, nëpërmjet një dekreti të nënshkruar në mesnatë nga Presidenti Erdogan.

Për muaj të tërë, mësuesit kishin zhvilluar protesta të përditshme kundër emërimit të zoti Bulu, sërish me një dekret të Presidentit Erdogan. Rektorët janë zgjedhur tradicionalisht nga akademikët e universitetit. Can Candan, profesor në universitetin Bogazici, mirëpriti heqjen e zotit Bulu.

“Është rezultat i një rezistence prej gjashtë muajsh e gjysëm. Dhe është jashtëzakonisht domethënëse pasi ka qenë një model për të gjithë vendin. Pra nëse rezistojmë paqësisht dhe në një mënyrë shumë të vendosur, do t’ia dalim mbanë”, tha profesori Candan.

Policia pati shpërndarë me forcë shumë nga demonstratat e studentëve dhe akademikëve kundër vendimit të Presidentit Erdogan për të imponuar emërimin e zotit Bulu.

Një numër i madh studentësh janë arrestuar, disa gjatë bastisjeve të kryera në orët e agimit nga policë të anti-terrorit të armatosur rëndë. Masat e ashpra u dënuan me shpejtësi brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Mësimdhënia në universitetin Bogazici zhvillohet në gjuhën angleze dhe universiteti mban lidhje historike me Shtetet e Bashkuara. Bogazici radhitet ndër universitetet më të mira të Turqisë, me një reputacion për mendimin liberal dhe të pavarur, që e ka shndërruar në një objekt sulmi nga Presidenti Erdogan, thotë akademikja e këtij universiteti, Seda Altug.

“Ka qenë objekt sulmi prej disa kohësh për shkak të mjedisit të tij liberal, mjedisit liberal të mësimdhënies, për shkak të aktiviteteve liberale të studentëve. Prej kësaj atmosfere shumë liberale është bërë e mundur që shumë tema të debatueshme dhe shumë tabu në Turqi të diskutohen këtu pa asnjë lloj dhune”, tha zonja Altug.

Qeveria e Turqisë është përballur me kritika në rritje për largimin e qindra akademikëve nga postet e tyre, si pjesë e asaj që thotë se është një goditje kundër terrorizmit.

Presidenti Erdogan deri më tani nuk ka dhënë asnjë shpjegim për vendimin e tij për të hequr zotin Bulu, i cili pasoi një takim të autoritetit të arsimit të lartë të Turqisë, ku u diskutua për trazirat e Universitetit Bogazici.

Disa anëtarë të shquar të partisë AKP në pushtet të Presidentit Erdogan kishin filluar të paralajmëronin për rritjen e shqetësimit në radhët e mbështetësve për qëndrimin e qeverisë ndaj disidentëve. Sondazhet e opinionit publik treguan simpati të fortë për protestuesit e universitetit, madje edhe mes disa mbështetësve të Presidentit Erdogan.

Profesor Candan, ndërsa përshëndet lëvizjen e Erdoganit, mbetet i kujdesshëm.

“Lufta vazhdon. Vetëm pse ai është tërhequr nuk do të thotë që ne të gjithë do të jemi në gjendje të zgjedhim rektorin tonë. Lufta vazhdon. Por është padyshim një sukses i madh në rrugën drejt disa ndryshimeve të mëdha, jo vetëm për Bogazicin por edhe për institucionet e tjera të arsimit të lartë”, tha zoti Candan.

Studentët dhe akademikët po bëjnë thirrje për rikthimin e zgjedhjeve nga akademikët për të gjitha postet e rektorëve të universiteteve. Mbetet e paqartë nëse Presidenti Erdogan do të kërkojë të imponojë një rektor të ri për Universitetin Bogazici.

Serbia bashkohet me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik të udhëhequr nga Rusia

Nëse Serbia një ditë bashkohet me Bashkimin Evropian (BE), ajo do të detyrohet të tërhiqet nga marrëveshja euroaziatike e tregtisë së lirë

Beograd

Serbia është bashkuar me bllokun tregtar të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EAEU) të udhëhequr nga Rusia, duke e vendosur vendin në një treg prej 180 milionë njerëzisht për rreth 99 për qind të mallrave të saj të brendshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ky është një moment historik për Serbinë. Si rezultat i marrëdhënieve tona të shkëlqyera politike, janë hapur perspektiva të reja për zhvillimin e lidhjeve tona ekonomike të cilat mbajnë rëndësi thelbësore për vendin, ekonominë dhe qytetarët tonë”, tha Nenad Popoviç, ministri serb i Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, Serbia në Moskë nënshkroi një marrëveshje me vendet anëtare të EAEU-së, përkatësisht me Rusinë, Kazakistanin, Bjellorusinë, Armeninë dhe Kirgistanin.

Ndërsa marrëveshja e tregtisë së lirë, e nënshkruar dje, zëvendëson marrëveshjet bilaterale aktuale të Serbisë me vendet anëtare të EAEU-së, kryesisht ato me Rusinë.

Tregtia bilatarele serbe me udhëheqësen e EAEU-së, Rusinë, arriti në 3,4 miliardë dollarë në vitin 2019 dhe përbën afërsisht 90 për qind të tregtisë serbe me vendet anëtare të EAEU-së. Produktet bujqësore përbëjnë më shumë se gjysmën e eksporteve serbe në Rusi.

Megjithatë, nëse Serbia një ditë bashkohet me Bashkimin Evropian (BE), ajo do të detyrohet të tërhiqet nga marrëveshja euroaziatike e tregtisë së lirë.

Blloku euroaziatik u themelua në vitin 2015.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012.

Sot 26 vite nga masakra- Kryeministrja serbe: Zyrtarët e Serbisë nuk e kanë vendin në Srebrenicë, të ndalohen ata që sulmuan Vuçiç 6 vite më parë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabic, tha se në vitin 1995 në Srebrenicë “ka ndodhur një krim i tmerrshëm”, por shtoi se zyrtarët e Serbisë nuk e kanë vendin në ngjarjet përkujtimore atje, derisa të mos ndiqen penalisht personat që, gjashtë vjet më parë, sulmuan kryeministrin e atëhershëm të Serbisë, Aleksandaer Vuçiç.

Në Bosnje dhe Hercegovinë sot u shënua përvjetori i 26-të i gjenocidit në Srebrenicë. Mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë u vranë në korrik të vitit 1995 nga forcat serbe të Bosnjës.

“Derisa nuk dalin para drejtësisë të gjithë ata që sulmuan presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç – atëherë kryeministër – i cili shkoi në Srebrenicë për të shprehur respekt për viktimat dhe popullin boshnjak, ne, zyrtarët, nuk e kemi vendin atje”, tha Bërnabic për Televizionin Prva të Serbisë.

Sipas saj, është “skandal” që askush nuk ka dhënë përgjegjësi për sulmin ndaj Vuçiqit, çfarë do të thotë se “diçka e tillë mund të ndodhë përsëri”.

“Shpreh keqardhje të madhe, sepse një krim i tmerrshëm ka ndodhur në Srebrenicë dhe nuk kam asnjë problem të shpreh respekt për të gjitha viktimat”, tha Bërnabic.

Në korrik të vitit 2015, Vuçic mori pjesë në përkujtimin e viktimave të gjenocidit në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë, ku disa pjesëmarrës, të pakënaqur me praninë e tij, hodhën shishe plastike dhe sende të tjera në drejtim të tij.

Gjatë luftës në Bosnje në vitet 1990, Vuçiç ishte zyrtar i Partisë Radikale Serbe, e cila kishte formacionet e saj paraushtarake në fushat e betejës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci.

Vuçiç ishte pjesë e kësaj partie deri në vitin 2008, kur formoi Partinë e tij Përparimtare Serbe, e cila sot mban pushtetin në Serbi.

Erdogan përkujton Srebrenicën: Nuk do të lejojmë që kjo njollë e zezë e historisë së Evropës dhe njerëzimit të shtyhet në plan të dytë

Stamboll

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, përkujtoi 26-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, duke shprehur simpatinë e tij për viktimat, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një video-mesazh për ceremoninë përkujtimore ku po shënohet përvjetori i gjenocidit, Erdoğan tha se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë me Bosnjë dhe Hercegovinën dhe boshnjakët.

“Në asnjë mënyrë, nuk do të lejojmë që kjo njollë e zezë e historisë së Evropës dhe njerëzimit (gjenocidi i Srebrenicës) të shtyhet në plan të dytë”, theksoi Erodğan.

“Plagët që Srebrenica hapi në zemrat tona janë ende duke derdhur gjak edhe pse kanë kaluar 26 vjet”, shtoi presidenti turk.

Më shumë se 8.000 muslimanë boshnjakë u vranë kur forcat serbe të Bosnjës sulmuan Srebrenicën në korrik 1995, megjithë praninë e trupave paqeruajtëse holandeze.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së e kishte shpallur Srebrenicën “zonë të sigurt” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, trupat e drejtuara nga gjenerali Ratko Mlladiç pushtuan zonën e OKB-së. Ai më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

Duke kujtuar dekretin e gjykatës për kriminelin e luftës, Erodğan tha se megjithëse dekreti nuk mund të lehtësojë vuajtjet e “tragjedisë në zemër të Evropës”, ai mund të ndihmojë në parandalimin e gjenocideve të tjera.

Ai nënvizoi rëndësinë e paqes në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku jetojnë besime, kultura dhe etni të ndryshme, duke thënë se stabiliteti i saj është i nevojshëm për gjithë Evropën, veçanërisht Ballkanin.

Presidenti turk u bëri thirrje figurave politike të kundërshtojnë urrejtjen, dhunën dhe diskriminimin dhe të ribashkohen bazuar në vlerat e përbashkëta njerëzore.

“Është detyra jonë e përbashkët ta bëjmë paqen të përhershme në këto toka”, tha ai.

Erodğan gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave të gjenocidit dhe u lut për mëshirën e Allahut për të vrarët.

Jeta e rëndë pas gjenocidit, të kthyerit dëshirojnë të qëndrojnë në Srebrenicë

Sarajevë

Vesna Beshiç

Optimizmi dhe kthimi. Banorët e Srebrenicës thonë se kjo i solli ata të kthehen në vatrat e para luftës, shtëpitë ku ata lindën, jetuan dhe kaluan shumë momente të lumtura.

Dikur çarshia e pasur, jetonte “me mushkëri të plota” ndërsa sot një numër i madh i të rinjve e lënë atë. Ka vetëm disa kafene, pa restorante, thertore, furra buke dhe gjithçka që nevojitet për një jetë normale. Gjatë ditës, ju mund të takoni disa banorë në qytet, megjithatë, kur dyert e një numri të vogël të ndërmarrjeve dhe institucioneve janë të mbyllura, qytetin e mbulon heshtja.

Elvis Shpiodiç, që i mbijetoi gjenocidit si 11-vjeçar në vitin 1995, u kthye në Srebrenicë para 15 vitesh.

“Nuk erdha në varrimet e para që ishin në Potoçari. Pasi erdha në njërën prej tyre, diçka më tërhoqi që të kthehem këtu duke marrë parasysh gjithçka që mbijetova. U ktheva 15 vjet më parë dhe pastaj isha optimist se ky qytet do të jetësohet. Në qytet ishte njëfarë optimizmi. Punonin shumë kafene, restorante, hotele, furra buke. Megjithatë, në katër apo pesë vitet e fundit shoh situatën dhe mund të them se ky është një qytet që gradualisht po vdes. Gjenocidi e ka bërë të veten, që një popull të shkatërrohet në këto hapësira”, tha Shpiodiç.

Sot nuk ka furrë buke në Srebrenicë, vetëm disa kafene, nuk ka hotele, thertore dhe pajisje të tjera të nevojshme për të jetuar në një qytet.

“Kur të shkoni në qytet do të shihni se nuk keni asnjë restorant, hotel, keni dy ose tre kafene. Fatkeqësisht, unë shpesh them se ky do të jetë një qytet i pensionistëve. Këtu kanë mbetur vetëm pensionistë. Shohim se vetëm një ose dy njerëz jetojnë në shtëpi, ata janë persona të moshuar. Të rinjtë po largohen, jo vetëm nga Srebrenica por edhe nga qytetet tjera, e veçanërisht nga këto mjedise më të vogla, sepse këtu nuk ka perspektivë për jetë. Nuk hapen ndërmarrje të reja. Kohët e fundit kam menduar gjithnjë e më shumë të largohem nga ky qytet”, u shpreh Shpiodiç.

Ai është i mendimit se ndërmarrjet dhe punësimi janë të nevojshme që të rinjtë të qëndrojnë në Srebrenicë.

Senad Gjoziç, 42-vjeç, është kthyer në Srebrenicë në vitin 2009.

“Atëherë u ktheva vetë. Pasi mbarova studimet, m’u ofrua mundësia në Koleksionin e Muzeut të Bibliotekës Kombëtare të Srebrenicës. Pastaj u ktheva vetëm, ndërsa nëna ime një vit më vonë. U martova dhe krijova familje”, tha Gjoziç.

Ai konsideron se kur bëhet fjalë për punësimin në Srebrenicë situata nuk është e kënaqshme.

“Ka shumë nga ata që merren me bujqësi, kultivim të tokës dhe blegtori dhe ata jetojnë mjaft vështirë”, tha Gjoziç.

Siç tha, ai ka jetuar në këtë qytet për një kohë të gjatë dhe është mësuar me jetën pa disa gjëra që janë normale në disa qytete më të mëdha si furra e bukës, restorante, kinema …

“Nëse do të kisha ardhur të jetoja në Srebrenicë për herë të parë sot, do të ishte e pakonceptueshme të jetoja pa këto gjëra që janë normale në disa qytete të tjera. Por, meqë kam jetuar këtu për 12 vjet, dikur mësohesh, bëhet normale, gjithçka është çështje zakoni. Unë, mbi të gjitha, drejtohesha nga dashuria për vendlindjen time. Kur e doni qytetin tuaj, atëherë mësoheni me të gjitha vështirësitë që hasni”, thotë Gjoziç.

Sipas tij, kur bëni krahasimin me vitin 2009 kur u kthye, me situatën e sotme, sa njerëz kishte në Srebrenicë atëherë dhe gjithçka që bënte, jeta sociale dhe ekonomike në këtë qytet po shkon drejt greminës.

“Në një farë mënyre, mund të thuhet se ky është një qytet që po vdes dhe po bëhet një qytet i të moshuarve. Tendencat janë që njerëzit shkojnë masivisht në Evropën Perëndimore në kërkim të punës. Pavarësisht të gjitha vështirësive me të cilat përballemi, për mua ende është bukur këtu dhe nuk e kam ndërmend të shkoj askund”, tha Gjoziç.

Srebrenica, kthimi dhe lugina e nishaneve të bardha, siç i quajnë varrezat e Qendrës Përkujtimore Srebrenica-Potoçari, është ajo në të cilën jetojnë nënat e këtij qyteti, ku u krye gjenocidi në verën e vitit 1995 kundër disa mijëra burrave dhe djemve joserbë.

Një numër i vogël i tyre u kthyen në qytetin nga i cili u dëbuan dhe ikën në vitet e 90-ta. Shumica mbetën vetëm sepse të gjithë anëtarët e familjes së tyre u vranë. Sot, ata duan vetëm paqen, të vërtetën dhe bashkëjetesën në qytetin ku kanë vendosur të qëndrojnë për gjithë jetën e tyre.

Fadila Efendiç është njëra prej tyre. Ajo u kthye në Potoçari ku varrosi burrin e saj Hamedin dhe djalin Fejza në varrezat e Qendrës Përkujtimore Srebrenica-Potoçari.

“Ne erdhëm në të shkatërruar dhe luftuam për të mbijetuar. Duhet vullnet i madh për t’u përballur me të vërtetën dhe për të ecur përpara. Qytetin e përbëjnë njerëzit, e jo ndërtesat. Aq shumë njerëz u vranë, ndërsa kjo që ka mbetur, mua më duket se jeton në një farë frike se diçka e keqe do t’u ndodhë edhe atyre. Është e vërtetë se edhe unë po ashtu isha më optimist në fillim, megjithëse gjithçka u shkatërrua, mund të shiheshin mbetjet e vrasjeve”, tha Efendiç.

Në gjenocidin e Srebrenicës në korrik të vitit 1995, e cila në atë kohë ishte zonë e mbrojtur e OKB-së, u vranë rreth 8.000 kryesisht burra dhe djem boshnjakë ndërsa u dëbuan më shumë se 40.000 gra, fëmijë dhe të moshuar. Mbetjet mortore të atyre që ishin varrosur në varrezat e Qendrës Përkujtimore Srebrenica-Potoçari u gjetën në dhjetëra varre masive primare dhe sekondare pas luftës në Bosnjë e Hercegovinë.

Hungaria e sheh Serbinë si vend kyç të rajonit, thotë Orban

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Beograd, 8 korrik 2021.

RFE/RL

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se zgjerimi duhet të jetë projekti më i rëndësishëm i Bashkimit Evropian (BE) dhe se Serbia është vendi kyç i Ballkanit Perëndimor në këtë proces.

“Pa Serbinë, rajoni nuk mund të bëhet pjesë e BE-së”, tha kryeministri Orban më 8 korrik në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Vizita e tij në Serbi vjen dy ditë pasi ai i paraqiti BE-së disa propozime sesi të fuqizohet blloku. Njëra ndër pikat thoshte se Serbia duhet të bëhet pjesë e BE-së.

Gjatë një konference për media, pas takimit me Vuçiqin, Orban tha se në kohën kur vendi i tij ishte në proces të integrimit, ishte e qartë për të gjithë se nga vendet e Evropës Qendrore, atëbotë Polonia ishte një vend kryesor për integrimin e këtyre vendeve.

“Për këtë arsye unë e mbështes anëtarësimin e Serbisë në BE, sepse pas saj është i gjithë Ballkani Perëndimor. Derisa Serbia të integrohet, Ballkani Perëndimor nuk do të integrohet”, tha Orban.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq tha se Serbia beson në të ardhmen evropiane, por se do të rrisë bashkëpunimin me Hungarinë dhe vendet e Grupit të Vishegradit.

Grupi i Vishegradit, i cili përbëhet nga vendet anëtare të BE-së, Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia, ka kohë që bën presion për përshpejtimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Orban gjatë takimit me Vuçiqin ka ngritur edhe çështjen e emigrantëve.

Hungaria ka qenë ndër vendet e para evropiane që ngriti një gardh me tela në kufirin me Serbinë për të parandaluar hyrjen e refugjatëve dhe migrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Orban tha se pandemia e zhvendosi në plan të dytë problemin e emigrantëve, mirëpo kjo çështje është rikthyer.

“Zhvillime dramatike po ndodhin në Afganistan dhe qindra mijëra njerëz po largohen nga ai vend. Unë mendoj se Serbia është pjesa jugore e Evropës Qendrore. Pa një Serbi dhe Ballkan Perëndimor të fuqishëm, as Hungaria nuk është e sigurt”, tha Orban.

Presidenti i Serbisë nuk e adresoi në mënyrë të veçantë këtë çështje, por tha se Serbia do të “bashkëpunojë ngushtë” me Hungarinë sa i takon pandemisë dhe emigrantëve.

Qeveria konservatore e Orbanit është kritikuar disa herë për trajtimin që u bën emigrantëve, por edhe për ngecjet në sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Organizata “Reporterët pa Kufij” ka publikuar një listë me emrat e 37 udhëheqësve të shteteve ose qeverive, të cilët, sipas kësaj organizate, po e shtypin lirinë e mediave.

Organizata thotë se që nga marrja e pushtetit më 2010, Orban ka sulmuar pavarësinë e medias.

Prokuroria serbe thotë se po mbledh prova të reja për rastin e vëllezërve Bytyqi

Homazhe në Prishtinë për vëllezërit Bytyqi. Shkurt, 2002.

RFE/RL

Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi tha se është duke mbledhur prova të reja me qëllim që të “përcaktohet identiteti” i autorëve të vrasjes së vëllezërve Bytyqi më 1999.

Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Prokuroria serbe tha se vrasja e vëllezërve Bytyqi është në fazën e hetimeve që po zhvillohen kundër “autorëve të panjohur mbi bazën e dyshimit se ishte kryer krim lufte ndaj të burgosurve të luftës”.

“Është e vërtetë se po mblidhen prova të reja në mënyrë që të përcaktohet identiteti i autorit të krimit. Të gjitha këto veprime po ndërmirren në mënyrë që të ngritet niveli i provave në atë shkallë që kërkohet për ngritje të aktakuzës”, thuhet në deklaratë.

Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, që luftuan përkrahë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në kuadër të Batalionit “Atlantiku”, pas bombardimeve të NATO-s, më 1999 u arrestuan në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Pasi qëndruan në burg për 15 ditë, ata u liruan, por policia serbe i dërgoi ata në bazën e Njësive speciale kundër terrorit të Ministrisë së Brendshme serbe në Petrovo Sello, që ishte nën komandën e Goran Radosavleviqit Guri.

Trupat e tyre, që u gjetën me duar të lidhura dhe me plagë të shkaktuara nga plumbat në pjesën e pasme të kokës, u zbuluan më 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë, së bashku me trupat e pajetë të shqiptarëve të tjerë të Kosovës.

“Problemi në rastin tonë dhe në shumë raste të tjera është se Serbia madhëron dhe mbron kriminelët e luftës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Ilir Bytyqi, vëllai i tre shtetasve të vrarë amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi.

Këto komente të Ilir Bytyqit vijnë pasi Serbia nderoi me një medalje mirënjohjeje ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq-Guri.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, Ilir Bytyqi tha për Radion Evropa e Lirë se “afërsia midis presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij me kriminelët e luftës është turp” dhe se kjo “parandalon drejtësinë dhe i privon viktimat që të arrijnë paqe”.

“Në vitin 2016, presidenti Vuçiq i premtoi nënpresidentit të atëhershëm, Biden (presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara) se ai personalisht do të angazhohej në zgjidhjen e vrasjes së vëllezërve të mi. Vuçiqi më pas i tha familjes time dhe zyrtarëve amerikanë se Goran Radosavleviq ishte përgjegjës për vrasjen e tyre. Për një kohë të gjatë ekzistojnë prova të gjata dhe të mjaftueshme (për këtë)”, tha Bytyqi.

Nga Presidenca serbe nuk i janë përgjigjur pyetjes së REL-it nëse Vuçiqi ka folur para zyrtarëve amerikanë për përgjegjësinë e Radosavleviqit për vrasjen e vëllezërve Bytyqi dhe se çfarë informacionesh ka Vuçiqi për këtë rast. Zyrtarët serbë, të udhëhequr nga presidenti Vuçiq, nuk kanë konfirmuar këto pretendime të Ilir Bytyqit, të cilat ai i ka bërë publike para mediave.

Pas raportimit të Radios Evropa e Lirë më 30 qershor, se xhandarmëria, në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin e suksesshëm i ndau një medalje Radosavleviqit, që ishte komandanti i parë i njësisë speciale të xhandarmërisë, reagoi Ambasada amerikane në Beograd.

Duke kujtuar se Radosavleviqi ishte në krye të kampit ku u gjetën eshtrat e tre shtetasve amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, ambasada tha më 3 korrik se Radosavleviq “duhet të përballet me drejtësinë dhe nuk duhet të marrë medalje”.

Në një postim në Twitter, Ambasada amerikane po ashtu kujtoi se Shtetet e Bashkuara e kishin sanksionuar Radosavleviqin, për përfshirjen e tij në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Vuçiq: Rezoluta e Kosovës për Srebrenicën – e pritshme

RFE/RL

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka qenë e pritshme që Kuvendi i Kosovës të miratojë rezolutën që dënon gjenocidin në Srebrenicë, por shtoi se është befasuar që një rezolutë të tillë e ka miratuar edhe Kuvendi i Malit të Zi.

Kuvendi i Kosovës e miartoi të mërkurën rezolutën për Srebrenicën, ku forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, më 1995.

Një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit në Srebrenicë u miratua në Kuvendin e Malit të Zi më 17 qershor.

“Rezoluta të tilla do të vazhdojnë. Ne mund t’i shmangim ato në disa parlamente, falë marrëdhënieve miqësore, por disa do të vazhdojnë me abuzimin politik të serbëve”, u tha Vuçiq gazetarëve gjatë një vizite në një spital të Beogradit.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se masakra në Srebrenicë ka përbërë gjenocid.

Masakra është cilësuar si më e rënda në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore.

Nga vendet e Ballkanit, Maqedonia e Veriut ka miratuar një rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në vitin 2010, ndërsa Shqipëria, deri më tani, nuk ka miratuar ndonjë dokument të ngjashëm.

Në Kuvendin e Serbisë janë dy rezoluta: në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse në tjetrën si gjenocid. Diskutimi për to nuk është futur ende në rend të ditës.

Varhelyi në Samitin e Berlinit: Të përshpejtohet integrimi i Ballkanit Perëndimor! 30 miliardë euro për rimëkëmbjen

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, gjatë fjalës së tij në Samitin e Berlinit është ndalur tek Integrimi i Ballkanit Perëndimor duke theksuar se luan një rol kryesor në planet e Bashkimit Evropian.

Varhelyi, më tej ka shtuar se po investohet për mbylljen e hendekut ekonomik dhe të ndihmojnë rajonin me rimëkëmbjen pas Covid-19.

Sipas tij plani për rimëkëmbjen e Ballkanit Perëndimor është me vlerë 30 miliard euro.

Mes të tjerash komisioneri i BE ka bërë apel që tregu u përbashkët rajonal apo ajo që ka nisur si “Shengeni Ballkanik” të bëhet funksional.

 “Në Samitin e Procesit të Berlini me  Ballkanin Perëndimor sot: Rajoni luan një rol kryesor në planet tona për një Evropë më të begatë, të lidhur më mirë, më të gjelbër dhe më elastike. Kjo është arsyeja pse ne duhet të shpejtojmë integrimin e tij në BE.

Ne gjithashtu po investojmë shumë në mbylljen e hendekut ekonomik dhe të ndihmojmë me rimëkëmbjen pas COVID-19. Plani ynë Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor me vlerë afër 30 miliardë € mund të jetë një ndryshues i lojërave. Por Plani do të funksionojë vetëm nëse rajoni funksionon si një.

Vendosja e Tregut të Përbashkët Rajonal duhet të bëhet realitet – Unë shpresoj në udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor për të ofruar këtë. Ashtu si ata bënë #RoamFree & #GreenLanes, të dyja ne synojmë t’i shtrijmë në BE.

Të kënaqur që me shpërndarjen e vaksinave COVID19 ne ishim në gjendje të rritnim fushatat e vaksinimit dhe që të gjashtë  vendet e Ballkanit Perëndimor janë tani në listën e partnerëve që mund të udhëtojnë në  BE. Ne gjithashtu do të shohim përpara për të mirëpritur Ballkanin Perëndimor në Certifikatën dixhitaleCOVID sa më shpejt të jetë e mundur.

Kur bëhet fjalë për të ardhmen e Procesit të Berlinit, Komisioni Europian është gati të luajë një rol të fortë, me pronësinë e rajonit çelësi i suksesit”, ka theksuar Varhelyi.

Policët e Serbisë trajnohen në Rusi

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksander Vulin (djathtas) dhe ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan Harchenko. Beograd, 5 korrik, 2021.

RFE/RL

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksander Vulin, dhe ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksander Bocan Harchenko, ranë dakord të hënën që të vazhdojnë trajnimin e policëve serbë në institucionet e arsimit të lartë rus.

Trajnimi do të përqendrohet në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe të teknologjisë së lartë, trafikut të paligjshëm të drogës, si dhe në fushën e situatave emergjente, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Më parë, Vulin ka paralajmëruar edhe një stërvitje të përbashkët anti-terroriste të njësive speciale të Serbisë dhe Rusisë, që do të mbahet në vjeshtë.

Në muajin maj, Vulin ka vizituar bazën e Gardës Kombëtare të Federatës Ruse, të njohur si Rosgvardiya.

Atëbotë, ai ka thënë se Serbia “po realizon bashkëpunim të mirë me të gjitha shërbimet e sigurisë të Federatës Ruse”.

Rosgvardiya, sipas informacioneve në ueb-faqen e saj, është themeluar në prill të vitit 2016, me dekretin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Rosgvardiya është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Putinit.

Serbia bashkëpunon me Rusinë në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes dhe mban lidhje të ngushta me të, përkundër kërkesave të Bashkimit Evropian që Serbia – si vend kandidat për anëtarësim në BE – të harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën e bllokut.

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pasi kjo e fundit ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Serbia nuk u është bashkuar këtyre sanksioneve.

Reeker nga Ohri: Integrimi evropian të ecë përpara. BE të gjejë një mënyrë dhe të zhbllokojë procesin

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut vazhdoi të premten konferenca ndërkombëtare “Prespa Forum”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të shteteve nga rajoni, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Në ditën e dytë të këtij forumi po merr pjesë edhe ushtruesi i detyrës së ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Diplomati i lartë amerikan u takua me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me të cilin bisedoi për “forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik mes dy vendeve”, thuhet në një njoftim të kabinetit të presidentit maqedonas.

“Anëtarësimi në BE mbetet qëllimi ynë strategjik dhe Bashkimi Evropian duhet të gjejë një mënyrë për të vlerësuar atë që është bërë deri më tani dhe të mundësojë zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. Çdo vonesë e mëtejme për fillimin e negociatave rrit euroskepticizmin e qytetarëve dhe reflekton negativisht mbi situatën politike në vend”, tha Pendarovski në takimin me diplomatin amerikan, Philip Reeker.

Reeker, në anën tjetër, tha se beson se Maqedonia e Veriut së shpejti do t’i nisë bisedimet e anëtarësimit në BE, ndërsa Marrëveshjen e Prespës tha se e sheh si shembull se si përmes dialogut mund të zgjidhen çështjet e hapura mes shteteve.

“Maqedonia e Veriut është në rrugën për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE. Unë jam i bindur që kjo do të ndodhë. Ne ia kemi bërë të qartë Qeverisë bullgare, si dhe një numri të anëtarëve të BE-së se ky proces duhet të ecë përpara… Por, ne kemi besim se kjo do të ndodhë. Diplomacia mund të sjellë një ndryshim të madh, duke ndihmuar vendet të gjejnë mënyra për t’i zgjidhur problemet dhe për të bërë përparim”, tha Reeker.

“Shikoni se çfarë do të thotë Marrëveshja e Prespës, në lidhje me marrëdhëniet me Greqinë dhe më gjerë me marrëdhëniet në rajon. Për këtë po flet edhe presidenti [i SHBA-së, Joe] Biden, kur thotë se duhet të përqendrohemi në përdorimin e institucioneve dhe të diplomacisë për të bërë përparim. Ka sfida të mëdha në botë dhe askush nga ne, përfshirë Shtetet e Bashkuara, nuk mund t’i zgjidhë ato vetë. Ne duhet t’i zgjidhim me miqtë, partnerët dhe aleatët”, tha Reeker për mediat në Ohër.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të forumit të Ohrit, u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryetarin e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ndërsa paraprakisht me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Në forum merr pjesë edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabic. Bashkëpunimi dhe raportet e mira ndërfqinjësore janë tema e konferencës dyditore ndërkombëtare “Prespa Forum”.

Në ditën e parë të forumit, zëvendësi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, shprehu dëshpërimin e tij që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk arritën të nisin negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, gjë që, sipas tij, mund të rrisë skepticizmin, por edhe mund të minojë rolin e SHBA-së dhe Evropës në sigurinë dhe integrimin e rajonit.

Palmer shprehu zhgënjimin edhe për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

Politikani nga Vojvodina shkruan për Masakrën e Mejës: Sa njerëz në Serbi dinë për shqiptarët e vrarë aty

Anëtari i i Lidhjes Social Demokrate të Vojvodinës që udhëhiqet nga Nenad Çanak, Aleksandar Marton, ka shkruar për Masakrën e Mejës së vitit 1999, raporton Gazeta Express.

Marton ka pyetur se sa njerëz në Serbi e dinë që policia serbe ka vrarë 377 banorë të fshatit civilë të paarmatosur.

“Sa njerëz në Serbi e dinë fshatin Meje afër Gjakovës? Fshati është i banuar nga shqiptarët katolikë. Në prill të vitit 1999, policia serbe vrau 377 fshatarë civilë. Në mesin e tyre kishte edhe fëmijë. Shumë nga ata që u vranë u gjetën në varrezën masive në Batajnicë, 15 kilometra larg Beogradit”, ka shkruar ai.

Në postim i kanë reaguar shumë komentues serbë me sharje e fyerje.

Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor: BE mbetet alternativa e vetme për rajonin

Zërijeta Hajro Jajaga

Në kuadër të ditës së dytë të Forumit të Prespës për Dialog, në temën “Rivendosja e sinergjisë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor”, që mbahet në Ohër, kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë theksuar se Bashkimi Evropian pavarësisht zhgënjimit për moscaktimin e datës për fillimin e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë me Brukselin, mbetet alternativë e vetme për rajonit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në kuadër të ditës së dytë të Forumit të Prespës, në fillim të fjalimit të tij, ka theksuar se Kosova si shtet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ndan zhgënjimin për moscaktimin e datës për fillimin e bisedimeve, për anëtarësimin e këtyre dy vendeve fqinje në familjen evropiane

Kurti tha se bllokimi i procesit eurointegrues për këto dy vende, paraqet mesazh dekurajues për të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë këtu edhe Kosovën, si vend që i është mohuar liberalizimi i vizave edhe një herë, potencoi se kupton këtë zhgënjim. Kurti tha se Evropës i mungon uniteti.

Kryeministri i Kosovës tha se Kosova e refuzon ashpër “Mini Shengenin”, duke theksuar se rajoni duhet t’i kthehet agjendës së Bashkimit Evropian, pasi siç ka nënvizuar ai, kjo iniciativë nuk ka vizion për rajonin.

“Inkurajoj të gjithë t’i kthehemi agjendës së Bashkimit Evropian dhe asaj transatlantike. Pakënaqësia me BE-në, nuk duhet të instrumentalizohet nga vendet të cilat që nuk e duan NATO-n, apo që e mbështesin Federatën e Rusisë”, ka theksuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në kudër të forumit në Ohër, ku e pranishme në të njëtin panel diskutimi, ishte edhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq.

Bërnabiq: Integrimet evropiane po bëhen një proces i ndërlikuar

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, në kuadër të Forumit të Prespës, integrimet evropiane i ka cilësuar si një proces të ndërlikuar.

“Është një proces i ndërlikuar (integrimi në BE) dhe po bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar dhe më i komplikuar çdo ditë. Siç e pamë me këtë edhe me Maqedoninë e Veriut, më duhet ta theksoj këtë. Më nuk bëhet fjalë për vlera evropiane, për përparim në fushat kyçe, ndërsa ato janë sundimi i së drejtës. Tani vendosen çështje bilaterale dhe atë jo çështje bilaterale në kuptim të zakonshëm, por çështje të gjuhës, interpretimit të linguistikës, historia dhe kështu më radhë. Ato janë çështje për të cilat nuk mund të kryeni asnjë ndikim, aspekte të tjera që e komplikojnë integrimin evropian”, ka theksuar Bërnabiq.

Rama: Vendet e Ballkanit perëndimor të bëjnë vetë tregti pa barriera

Ndërkaq Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në kuadër të forumit në fjalë, është shprehur me një fjalor më të ashpër duke nënvizuar se BE-ja nuk është ajo që duhet tu tregojë vendeve të Ballkanit Perëndimor se çka duhet të bëjnë.

Ai këto vlerësime i bëri duke folur për Jo-në e Brukselit për sa i përket caktimit të datës për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Rama, në forumin e Prespës që mbahet në Ohër, ka insistuar për formimin e Mini-Shengenit ballkanik, duke nënvizuar se Mini-Shengeni nuk do të thotë alternativë për BE-në, por tentativë për t’i dhënë më shumë njerëzve duke përdorur potencialet e të gjithëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Të falënderojmë Zotin që nga njëra anë Evropa nuk mund të na tregojë ç’të bëjmë në këtë rajon. Nga ana tjetër, ne mund të tregojmë se mund të bëhemi. Jemi mjaftueshëm të mëdhenj. Pse të presim të bëhemi pjesë e BE-së, ku mund të bëjmë vetë tregti pa barriera,…? “, ka theksuar Edi Rama kryeministër i Shqipërisë.

Zaev : BE të ridefinojë rolin e saj

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev është shprehur se Bashkimi Evropian duhet ta ridefinojë rolin e saj, pasi bllokada bullgare për Maqedoninë e Veriut, paraqet mossukses të madh të politikës për zgjerim të Bashkimit Evropian.

“Vendimi për mosmbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, ishte shumë zhgënjyese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ky është një mossukses i madh i politikës për zgjerim të Bashkimit Evropian dhe porosi e keqe për rajonin, se BE-ja nuk e përmbushi premtimin e saj”, ka theksuar në kuadër të Forumit të Prespës, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zaev.

Pendarovski: Ballkani Perëndimor ka 18 milionë banorë vetëm në letër, në realitet ka 4 milionë më pak

Ohër

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka mbajtur fjalimin kryesor në sesionin plenar të nivelit të lartë të titulluar “Rivendosje e sinergjisë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor”, që zhvillohet në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog (FPD), raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Pendarovski tha se nuk është e mundshme që të ketë një rivendosje të sinergjisë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor si në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, gjë që sipas tij është një lajm negativ për rajonin.

Ai tha se që atëherë bota ka parë një ndryshim dramatik, duke shtuar se nuk vihet në pikëpyetje vullneti politik, por ka ndryshime ne interesat kombëtare të aktorëve.

“BE kuptohet që nuk është një gjendje të udhëheq e vetme, SHBA nuk do të dëshironte të udhëheq e vetme, ndërsa elitat rajonale nuk janë të interesuara. Do të doja të jem plotësisht i sinqertë me të gjithë pasi edhe unë jam pjesë e atyre elitave rajonale, nuk jemi të interesuar të bëjmë përpjekje për ndryshim real dhe thelbësor në shoqëritë tona”, tha Pendarovski.

Ai tha se rezultat i kësaj është se Ballkani Perëndimor mbetet prapa ekonomikisht në krahasim me BE-në, ndërsa përmendi edhe largimin e të rinjve nga vendet e rajonit.

“Ballkani Perëndimor ka 18 milionë banorë vetëm në letër, ndërsa në realitet ka 4 milionë më pak”, tha Pendarovski, duke shtuar se të rinjtë, që sipas tij janë fuqia më e mençur dhe dinamike, po e braktisin rajonin.

Mes tjerash, në panel diskutim morën pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor. ndihmës sekretari në detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin amerikan të Shtetit, Philip Reeker, si dhe ish-komisioneri i BE-së për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Kujtojmë se dje dhe sot në Ohër dhe Oteshevë të Maqedonisë së Veriut për herë të parë mbahet Forumi i Prespës për Dialog me konferencën e titulluar “Ballkani Perëndimor: Pjesa që mungon për të qenë Evropa e plotë”.

Babis Anagnostopoulos dyshohet se trafikonte drogë për kartelet, vrau bashkëshorten britanike pasi ajo e zbuloi

GREQI

Një tjetër pistë e cila mund të ndryshojë gjithë historinë e krimit në Glyka Nera po hetohet nga Policia greke.
Babis Anagnostopoulos mund të ketë qenë një trafikant droge i cili furnizonte kartelet. Piloti grek dyshohet se vrau gruan e tij, Caroline Crouch pasi kjo e fundit zbuloi për aktivitetin e tij.

Një prej dyshimeve bazohet tek pasuria dhe jeta e çiftit, Anagnostopoulos jetonte mes luksit, shtëpi 140 mijë paund, tokë 47 mijë paund dhe së fundmi pushime në Dubai.

Pavarësisht profesionit si pilot, Anagnostopoulos mund të ketë pasur një burim tjetër alternativ të ardhurash.
Këtë pistë e konfirmon edhe babai i Caroline Crouch, David i cili thotë se janë disa lidhje që e çojnë ish-dhëndrin e tij drejt bashkëpunimit me kartelet e drogës. bw

Policia greke arreston nënkryetarin e arratisur të “Agimit të Artë”

Athinë

Personi i dyti në krye të partisë së ekstremit të djathtë “Agimi i Artë”, Christos Pappas u arrestua të enjten vonë në Zografos, në periferi të kryeqytetit grek Athinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pappas, i cili ishte dënuar me 13 vjet burg në tetor 2020 së bashku me anëtarët e tjerë të lartë të partisë për krijimin e një organizate kriminale, ishin arratisur pas vendimit.

Sipas televizionit publik ERT, arrestimi i tij erdhi pasi një skuadër kundër terrorizmit bastisi një shtëpi private.

Anëtarët e tjerë të lartë të partisë së ekstremit të djathtë u dënuan nga Gjykata e Apelit të Athinës për formimin dhe drejtimin e një organizate kriminale nën pretekstin e një partie politike. Ata përfshinin udhëheqësin e saj Nikos Michaloliakos si dhe Ilias Kasidiaris, Ioannis Lagos, Giorgos Germenis dhe Ilias Panagiotaros.

Grupi u akuzua për therjen fatale me thikë të muzikantit të majtë Pavlos Fyssas dhe sulmet ndaj aktivistëve të lidhur me grupet e majta si dhe peshkatarët egjiptianë.​​​​​​​

Forumi i Prespës: Të mos lejojmë nacionalizimin e politikës se zgjerimit të BE-së

Ohër

Diplomatë të shumë vendeve kanë marrë pjesë në sesionin e titulluar “Ndërtimi i besimit përmes dialogut” në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog (FPD), raporton Anadolu Agency (AA).

Mes tjerash, në sesion fjalim kishin zv/ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Faruk Kaymakcı; kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani; ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka; si dhe kryediplomatja e Kosovës, Donika Gёrvalla-Shvarc.

Në raport me procesin e eurointegrimeve, zv/ministri Kaymakcı në fjalën e tij u shpreh se nuk duhet emëruar rajoni si “Ballkani Perëndimor” për të diskriminuar Turqinë si vend-kandidat, duke bërë thirrje për qasje gjithëpërfshirëse.

Ai u shpreh se fatkeqësisht deri tani kemi parë bllokim të dialogut në zona të ndryshme, duke theksuar se bllokimi i bën dëm edhe vetë BE-së.

“Bllokimi nuk i ndihmon BE-së. Bllokimi nuk i ndihmon transformimit në vendet kandidate. Në fund, mund të përdorni të drejtën e vetos nëse doni, por të mos lejojmë nacionalizimin e politikës së zgjerimit të BE-së”, tha Kaymakcı.

Ai gjithashtu tha se dëshiron të shohë një Komision Evropian më të fuqishëm, si dhe vëmendje në interesin e përbashkët evropian, që sipas tij, është që të gjithë të jenë në familjen e BE-së.

Kaymakcı tha se Turqia mbështet procesin integrues në strukturat euroatlantike të vendeve ballkanike, si dhe dialogun mes këtyre vendeve, duke theksuar se së fundmi, Turqia ishte në gjendje të ketë dialog më të mirë me Greqinë.

“Shpresoj të mund të shohim dialogun e njëjtë në ishullin e Qipros, ku qipriotët turq dhe grekë të mund të bisedojnë për menaxhimin e ardhshëm të resurseve hidrokarbure, që mund të ndihmojë në krijimin e besimit”, tha ai.

Kaymakcı gjithashtu theksoi se Turqia nuk është një pjesë që mungon në tërësinë e BE-së, “por është një shtyllë që i mungon Evropës, dhe do të jetë shtylla e BE-së gjeopolitike dhe gjeostrategjike, kur të ndodh anëtarësimi i saj”.

Ai gjithashtu vuri në dukje se dialogu i nivelit të lartë është suspenduar nga BE-ja për shkak të çështjes së Qipros.

“Sa i përket dialogut me BE-në, takimet e dialogut të nivelit të lartë janë suspenduar nga BE-ja. Pse? Pasi kemi çështjen e Qipros, pra nuk mund të kemi dialog për migracionin, nuk mund të kemi dialog për energjinë, transportin, lidhshmërinë. Mendoj se kjo nuk është qasja e duhur”, tha ai, duke theksuar rëndësinë e punës në agjendën pozitive.

“Zhvillimi i dialogut pa besim, nuk prodhon dhe nuk jep rezultatet e dëshiruara”

Duke folur për dialogun, kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se nëse flisni për Ballkanin në çfarëdo periudhe kohore, do të vëreni se ajo që mungon është dialogu, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e besimit të ndërsjellë.

“Zhvillimi i dialogut pa besim, nuk prodhon dhe nuk jep rezultatet e dëshiruara, edhe kur dialogu në dukje është i suksesshëm”, tha Osmani.

Ai gjithashtu tha se zhgënjimi që erdhi si pasojë e dështimit të BE-së të fillojë bisedime me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është i madh, duke shtuar se Ballkani Perëndimor ka nevojë për vendime të vështira, komplekse dhe të guximshme.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, në fjalën e saj tha se procesi i integrimit të vendeve të rajonit në BE ka shërbyer si element që ka bashkuar rajonin, por shtoi se vërehet që BE-ja ka mungesë të qasjes strategjike.

“Besoj se pyetja para nesh është: Si ta rrisim vëmendjen strategjike të BE-së për rajonin tonë? Në një farë mase, kjo tashmë po ndodh sepse BE-ja po kupton dëmtimin e kredibilitetit të saj dhe e dyta që vakumet nuk ekzistojnë në gjeopolitikë”, tha Xhaçka.

Ndërkohë, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gёrvalla-Shvarc, tha se diplomacia në Ballkan shpesh herë është keqpërdorur për të bllokuar të vërtetën dhe progresin, duke shtuar se vendet e Ballkanit kanë nevojë të bisedojnë me më sinqeritet mes vete, si dhe në raport me BE-në.

“Të gjithë e dinë se integrimi në BE i gjithë rajonit do të bllokohet, për sa kohë që Serbia bllokon këtë rrugë duke refuzuar të pranojë realitetet”, tha Gёrvalla-Shvarc.

Kujtojmë se sot dhe nesër në Ohër dhe Oteshevë të Maqedonisë së Veriut për herë të parë mbahet Forumi i Prespës për Dialog, me konferencën e titulluar “Ballkani Perëndimor: Pjesa që mungon për të qenë Evropa e plotë”.

Në faqen zyrtare të forumit thuhet se FPD është platformë e krijuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’u mundësuar vendeve, udhëheqësve, organizatave dhe qytetarëve të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata dhe t’i forcojnë partneritetet.

Vuçiç dhe Klosi për avancimin e bashkëpunimit midis Serbisë dhe Shqipërisë në fushën e turizmit

Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi, diskutuan mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në këtë sferë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ndonëse një numër gjithnjë në rritje i turistëve nga Shqipëria vizitojnë Serbinë dhe anasjelltas, Vuçiç dhe Klosi konstatuan se ekzistojnë potenciale të pashfrytëzuara dhe të mëdha dhe se për këtë arsye është e nevojshme të punohet në promovimin e ndërsjellë të ofertës turistike të të dy vendeve. Në këtë kuptim, ata theksuan rëndësinë e ekzistencës së një fluturimi direkt të linjës ajrore ‘Air Serbia’ midis Beogradit dhe Tiranës, njoftoi Presidenca e Serbisë.

Vuçiç dhe Klosi mirëpritën heqjen e roamingut në Ballkanin Perëndimor, i cili hyri në fuqi sot, si një nga stimujt për qarkullim më të madh turistik në rajon. Ata gjithashtu arritën në përfundimin se nisma për bashkëpunim midis Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, e njohur si “Shengeni i Vogël”, hap mundësi për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe për një shkëmbim më të madh turistik.

Presidenti serb propozoi masa konkrete për avancimin e aktiviteteve turistike midis dy vendeve si dhe mbështetje për rritjen e nivelit të investimeve në fushën e turizmit.

“Në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Mini Shengenit, është e mundur të punohet edhe më shpejt në zhvillimin e ofertës turistike si në Shqipëri dhe Serbi, ashtu edhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, përfunduan bashkëbiseduesit.

 

Kroacia i dhuron Kosovës 20 000 vaksina

Një qytetare e Kosovës duke vaksinuar në Prishtinë.

 

RFE/RL

Kroacia ndau të enjten 20 000 vaksina kundër koronavirusit për Kosovën.

Kryeministri i këtij vendi, Andrej Pllenkoviq, tha se sasi e njëjtë dozash do të ndahet edhe për Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kirgizinë, ndërsa për Bosnje e Hercegovinën do të ndahen 210,000.

“Në bazë të porosive tona, do të kemi doza të mjaftueshme dhe do të bëjmë edhe donacione të tjera gjatë vitit”, tha Pllenkoviq.

Tash për tash, nuk është e qartë se të cilit prodhues janë vaksinat e dhuruara.

Kroacia i ka dhuruar më herët Kosovës edhe 10,000 vaksina, të cilat janë dorëzuar në muajin qershor.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit, ndërsa më 15 qershor ka nisur vaksinimi masiv i qytetarëve.

Imunizimi, deri më tash, është bërë me vaksina të dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Bashkimi Evropian dhe shtetet individuale.

Këtë javë, në Kosovë kanë nisur të arrijnë edhe kontingjentet e para të vaksinës Pfizer/BioNTech, të parapara me kontratën që ka nënshkruar Qeveria e Kosovës me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer.

Kontrata për blerjen e mbi një milion dozave është nënshkruar në muajin maj.

Deri tash, në Kosovë janë dhënë mbi 179,000 vaksina.

Mbi 41,000 qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza.

Hagë: Stanishiq dhe Simatoviq dënohen me nga 12 vjet burgim

Jovica Stanishiq (majtas) dhe Franko Simatoviq

Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Hagë dënoi me nga 12 vjet burgim dy ish-shefa të shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, të akuzuar për udhëheqjen e grupeve paraushtarake gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.

Të dënuarit janë Jovica Stanishiq, 70 vjeç, ish-shef i shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, dhe zëvendësi i tij, Franko Simatoviq, 71 vjeç.

Prokuroria kishte kërkuar dënim të përjetshëm, ndërsa mbrojtja, lirimin e tyre.

Grupet paraushtarake, të udhëhequra nga ta, kanë përfshirë njësitë elitare, të quajtura Beretat e Kuqe dhe Tigrat e Arkanit.

Të dyja njësitë dyshohet se kanë vrarë qindra njerëz.

Gjykata në Hagë ka liruar Stanishiqin dhe Simatoviqin nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në vitin 2013.

Por, pas protestave dhe apelit të prokurorëve, gjykatësit kanë urdhëruar në vitin 2015 rigjykim të rastit kundër tyre.

Rigjykimi ka nisur në vitin 2017.

Të dy të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, të tilla si: përndjekjet, vrasjet, dëbimet dhe transferimet me forcë.

Të dy kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, i cili ka luftuar luftëra në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Millosheviq është gjykuar po ashtu në Hagë, por ka vdekur përpara se t’i shqiptohej dënimi, në vitin 2006.

Serbia nderon ish-komandantin e dyshuar për përfshirje në rastin e vëllezërve Bytyqi

Goran Radosavleviq Guri duke pranuar mirënjohjen gjate ceremonisë në Novi Sad.

 

RFE/RL

Serbia e ka nderuar me një medalje mirënjohjeje ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq Guri, i cili e ka të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të “përfshirjes së tij në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.

Në kremtimin e “Ditës së Xhandarmërisë” më 30 qershor në Novi Sad, komandanti i Xhandarmërisë, Dejan Lukoviq, i ndau një medalje komandantit të parë të kësaj njësie policore në Serbi, Goran Radosavleviq Guri, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e suksesshëm.

Shtetet e Bashkuara e kishin vendosur në listë të sanksioneve atë që nga dhjetori i vitit 2018, për shkak të siç ishte thënë: “Radosavleviq besohet se është i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi më 1999″.

Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyqi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.

Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.

Radosavljeviq ka mohuar përgjegjësinë për vdekjen e vëllezërve Bytyqi.

Ai ka thënë se vendimi i Departamentit të Shtetit për të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara “as nuk i intereson dhe as që i ndikon atij”.

Një rezolutë e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara, në tetor të vitit të kaluar, u referohet fakteve për përfshirje në vrasje edhe të ish-zëvendësministrit të Brendshëm të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviq, dhe të ish-komandantit të xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq Guri.

Fondi për të Drejtën Humanitare disa herë ka thënë se Goran Radosavljeviq ishte udhëheqës i kampit në Petrovo Sello, ku u vranë vëllezërit Bytyqi. Sipas kësaj organizatate, me seli në Beograd në këtë kamp asgjë nuk ka ndodhur pa dijeninë e tij.

Kufiri detar Shqipër-Greqi, kryediplomati grek Dendias: Vendimi për të shkuar në Hagë është kapitull i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve

Greqia dhe Shqipëria hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet e tyre bilaterale, me vendimin për të referuar caktimin e kufijve detarë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”, ka deklaruar sot Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias.

Teksa ka folur për marrëdhëniet shqiptaro-greke, Dendias ka prekur sërish çështjen e kufirit detar mes dy vendeve.

“Ky vendim është shembullor në atë se si çështjet e rëndësishme mund të zgjidhen kur të dy palët janë përqendruar në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, tha Nikos Dendias në mesazhin e tij.

Këto deklarata kryediplomati grek i ka bërë në një organizim të zhvilluar online nga ELIAMEP në bashkëpunim me Fondacionin e Shoqërisë së Hapur Shqipëri (OSFA), mbi marrëdhëniet Greko-Shqiptare.

Në nisje të fjalës së tij, Dendias përmendi lidhjet historike midis Greqisë dhe Shqipërisë, si dhe kontributin e Minoritetit Kombëtar Grek, po ashtu edhe atë të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe prosperojnë në Greqi, në krijimin e një ure të qëndrueshme miqësie midis dy vendeve.

Ministri i Jashtëm përsëriti gjithashtu se Greqia mbështet perspektivën Evropiane të Shqipërisë, ndërsa përmendi gjithashtu dhurimin e 20,000 vaksinave për të trajtuar COVID-19.

Mali i Zi kontakton autoritetet e Kosovës për të arrestuarin në Gazimestan

RFE/RL

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka thënë se Ambasada në Kosovë ka kontaktuar me autoritetet dhe ka ndërmarrë veprime në drejtim të mbrojtjes së qytetarit malazias, i arrestuar më 28 qershor në Gazimestan.

Në Gazimestan, që gjendet rreth 15 kilometra larg Prishtinës rreth 1,000 serbë nga Kosova, Serbia dhe vende të tjera të rajonit, u mblodhën për të shënuar Vidovdanin.

Më herët, Policia e Kosovës njoftoi se gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan, një person, shtetas i Malit të Zi, u ndalua nën dyshimin se kishte kryer krimin e shkaktimit të përçarjes dhe intolerancës dhe se të njëjtit, pas intervistimit, i është caktuar masa e ndalimit policorë për 48 orë.

“Të gjitha veprimet që lidhen me personin në fjalë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Fronti Demokratik, partia pro-serbe që udhëheq me Qeverinë në Mal të Zi i kërkoi Qeverisë malazeze të kërkojë lirimin e menjëhershëm të Risto Jovanoviqit.

Shënimi i Vidovdanit filloi të hënën në mëngjes me një liturgji në Manastirin e Graçanicës, të cilin e udhëhoqi patriarku serb, Porfirije.

Pas kësaj, u mbajt edhe një shërbim përkujtimor në Gazimestan, për të kujtuar viktimat e betejës në Kosovë.

Kjo është hera e parë që patriarku Porfirije udhëhoqi shërbimin përkujtimor në Gazimestan, që kur ai u zgjodh në postin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe.

Gjatë kësaj shërbese, ai iu drejtua shkurtimisht të pranishmëve, ku bëri thirrje për bashkim dhe përsëriti qëndrimin se “shenjtërit serbë” në Kosovë, duhet të mbrohen.

Ai të njëjtat qëndrime i shprehu edhe pas liturgjisë së mbajtur në Graçanicë, ku theksoi se diversiteti është një dhuratë dhe se nuk duhet të shkaktojë konflikte.

Patriarku serb shtoi se “ne i shohim shqiptarët si vëllezërit tanë” dhe tha se ai është i sigurt se “ne jo vetëm që mund ta kuptojmë njëri-tjetrin, por mund të jetojmë së bashku, të rritemi dhe të ndërtojmë”.

Të pranishmit në Gazimestan, gjatë ditës, kënduan këngë patriotike kurse Policia e Kosovës, që po zbaton një plan të veçantë operativ për festimin e Vidovdanit, arrestoi një person, por, nuk dha detaje lidhur me arrestimin.

Ndërkaq, Shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe udhëheqësit e Listës Serbe, që është partia më e madhe politike e serbëve të Kosovës dhe që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, po ashtu morën pjesë në liturgjinë në Manastirin e Graçanicës.

Megjithatë, sikurse edhe në vitet e mëparshme, ata nuk shkuan në Gazimestan.

Çdo vit në Gazimestan, Kisha Ortodokse Serbe, si dhe serbët nga Kosova dhe rajoni, më 28 qershor, festojnë Vidovdanin, për të kujtuar vuajtjet e serbëve në betejën në Kosovë më 1389, kundër ushtrisë turke.

Ishte pikërisht 28 qershori i vitit 1989, kur në Gazimestan, ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, mbajti një fjalim para dhjetëra-mijëra serbëve, ku deklaroi se nuk përjashton “beteja të armatosura”.

Ky fjalim i Millosheviqit u pa si një paralajmërim për luftërat që pasuan në vitet e 90-ta në ish-Jugosllavi.

Hiqet pagesa e sigurimit kufitar mes Kosovës dhe Malit të Zi

RFE/RL

Në Podgoricë të Malit të Zi është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Malit të Zi për heqjen e sigurimit kufitar ndërmjet të dyja vendeve.

Marrëveshja është nënshkruar nga ana e Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe Byrosë Nacionale të Siguruesve në Malin e Zi, me prezencën edhe të zëvëndëskryeministes së Kosovës, Emilia Rexhepi dhe zëvëndëskryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku tha se kjo është marrëveshje që i hap rrugë të dyja vendeve për lëvizje të lirë.

“Neve si Kosovë kjo marrëveshja na hap rrugën edhe të aspiratave që të jemi pjesë e Kartonit të Gjelbër”, tha Mazreku.

Në bazë të marrëveshjes, nga 1 korriku, qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë sigurim kufitar në vlerë prej 15 euro me rastin e hyrjes në territorin e Malit të Zi.

Ndërsa, zëvëndëskryeministri, Abazoviq përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se qytetarët malazezë tani do të jenë në gjendje të udhëtojnë në territorin e Kosovës me një karton të gjelbër.

Përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, po sfidohen nga dy probleme thelbësore. Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe së dyti, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasiguruara në qarkullim, çka e bën të pamundur sigurimin e Kartonit të Gjelbër.

Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).

Autoritetet shëndetësore greke alarmojnë rreth variantit të ri të COVID-19

Athinë

Ekspertët e shëndetësisë paralajmëruan sot lidhur me përhapjen e variantit Delta të COVID-19 në zonat që kanë një mbulim të ulët vaksinimi, i cili mund të rezultojë me bllokime lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Skai TV, kreu i Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik, Panagiotis Arkoumaneas tha se “në këtë pikë, modelet tregojnë se në gusht, varianti Delta i COVID-19 (që u shfaq në Indi) pritet të bëhet lloji dominues në gjithë Evropën dhe ndoshta në vendin tonë dhe zgjidhja është që të vaksinohemi”.

Arkoumaneas shpjegoi se komuniteti global është në gatishmëri dhe ekziston një shqetësim sepse varianti specifik është 50-60 për qind më ngjitës sesa i pari.

Gjithsej 29 raste të variantit Delta janë zbuluar në vend, nga të cilët 18 janë regjistruar në ishullin e Kretës, ndërsa pjesa tjetër janë zbuluar në rajonin e Atikës dhe Selanikut.

Nikolaos Tzanakis, një profesor i pulmonologjisë në Universitetin e Kretës tha se rastet e zbuluara në ishullin e Kretës ishin ato që nuk ishin vaksinuar, duke theksuar rëndësinë e vaksinimit.

Duke folur në Skai TV, Tzanakis pohoi se varianti Indian, ose Delta, do të jetë dominues në vend deri në fund të gushtit dhe nuk përjashtoi mundësinë e bllokimeve lokale.

Greqia konfirmoi 489 infeksione të reja me COVID-19 të enjten, sipas organizatës së shëndetit publik të vendit.

Kreu i Odës Ekonomike të Ankarasë: Jemi të gatshëm të rrisim në miliard dollarë tregtinë me Kosovën

Ankara

Kryetari i Bordit Drejtues të Odës Ekonomike të Ankarasë (ATO), Gürsel Baran, deklaroi se tregtia midis Turqisë dhe Kosovës nuk është në nivelin e dëshiruar dhe shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për të kontribuuar në rritjen e mëtejshme të vëllimit tregtar midis dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Fikrim Damka, ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës dhe kryetar i Partisë Demokratike Turke, vizitoi kryetarin e ATO-s Baran, sipas një deklarate zyrtare nga oda e Ankarasë.

Baran deklaroi se Ballkani, duke përfshirë Kosovën, ka një rëndësi të veçantë për sa i përket politikave ekonomike dhe politikës turke në përgjithësi.

“Pavarësia e Kosovës dhe zhvillimi ekonomik përbëjnë themelin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, që është një rrugë drejt Evropës për Turqinë”, tha Baran.

Ai theksoi se përkundër afërsisë gjeografike, popullatës turke në vend dhe synimit për të zhvilluar marrëdhëniet, tregtia midis Kosovës dhe Turqisë ende nuk e ka arritur nivelin e dëshiruar.

“Tregtia midis vendeve tona është akoma në nivelin e miliona dollarëve. Nuk është e mundur të jemi të kënaqur me këtë shifër. Si ATO, ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që mundemi për ta çuar tregtinë tonë në nivelin e miliard dollarëve sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Baran.

Nga ana tjetër, Damka deklaroi se janë duke punuar për ta bërë zhvillimin e Kosovës të shpejtë dhe të fortë dhe se e shohin Turqinë në anën e tyre në këtë proces.

Duke ftuar afaristët nga Ankaraja për të investuar në Kosovë, Damka shpjegoi se nëse bëhen investime në zonat industriale dhe të lira, Kosova mund të vlerësohet si bazë dhe lehtësisht mund të bëhen eksporte në vendet evropiane dhe SHBA prej aty.

Damka deklaroi se mbështetje, përfshirë alokim të hapësirës, ​​u ofrohet atyre që duan të investojnë në Kosovë.

Samiti në Bruksel- Bullgaria nuk heq dorë nga ‘veto’ për Maqedoninë e Veriut

Bullgaria e ka vulosur veton ditën e sotme kundër çeljes së negociatave për Maqedoninë e Veriut.

Mediat maqedonase kanë raportuar se përfaqësuesit bullgarë nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga vendimi që kanë marrë prej kohësh.

Një prej tyre thotë për MIA se BE nuk e ka kuptuar ende thellësinë e problemit mes dy vendeve, por theksojnë se mosmarrëveshja është çështje evropiane.

”BE nuk e kupton thellësinë e problemit midis Shkupit dhe Sofjes. Kjo mosmarrëveshje është një çështje evropiane. Bullgaria është në një situatë specifike për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në korrik”.- tha ai.

Të gjitha vendet e tjera përveç Bullgarisë janë pro çeljes së negociatave për Maqedoninë e Veriut, madje nuk ka asnjë kundër Shqipërisë, por kjo e fundit mund ta pësojë nga ngërçi që kanë Bullgaria me Maqedoninë e Veriut.

Sot merret vendimi nga Këshilli Europian se kur do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare, por nëse Bullgaria nuk heq veton, atëhere me të gjitha gjasat s’ka për të pasur datë.

Kamberi – Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë: Po negocioni me njerëz, fëmijët e të cilëve u vranë nga paramilitarët serbë

Shaip Kamberi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik dhe shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, i ka thënë presidentit serb, Aleksander Vuçiq në seancën e sotme se ai duhet ta kuptojë që po negocion me njerëz, fëmijët e të cilëve ishin vrarë nga paramilitarët serbë, transmeton Gazeta Express.

Kamberi tha se sheh perspektivë në Bashkimin Evropian dhe në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe se mirëkuptimi është formula për bashkëjetesën e pupujve ballkanikë.

 

“Si pjesëtar i popullit shqiptar, unë shoh perspektivë në BE, por edhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Formula për bashkëjetesën e popujve ballkanikë është mirëkuptimi, gjithçka tjetër ka çuar në konflikte të përgjakshme”, tha Kamberi.

Ai theksoi se reciklimi i termave të viteve 1990 nuk duhet të kenë vend në dialog dhe se Serbia duhet ta kuptojë se pavarësia e Kosovës është rezultat i prishjes së Jugosllavisë.

“Gjuha e urrejtjes dhe riciklimi i termave nga vitet 1990 nuk kanë vend në dialog. Unë e kuptoj që Serbia përfaqëson interesat e saj, por Serbia duhet ta kuptojë që ju jeni duke negociuar me njerëz, fëmijët e të cilëve u vranë nga akrepat (njësia paraushtarake serbe aktive gjatë luftërave të viteve ’90) serbë. Sot duhet të kuptohet se pavarësia e Kosovës është rezultat i prishjes së Jugosllavisë”, u shpreh Kamberi.

“Publiku serb duhet ta dijë se vrasjet e popullsisë shqiptare ishin kryer dhe forcat serbe kryen sulme të përhapura dhe të organizuara ndaj shqiptarëve”, theksoi deputeti shqiptar.

Në këtë seancë, që po vazhdon të zhvillohet, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është duke raportuar lidhur me procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

Vuçiq: Serbisë nuk i duhet konflikt i ngrirë me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. 22 qershor, 2021.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, tha se Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën.

Duke paraqitur para Kuvendit të Serbisë raportin për dialogun me Kosovën, Vuçiq tha se serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen, në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen.

“Kur të më pyesni se çfarë është kompromisi, unë do të them: nuk e di”, tha Vuçiq para ligjvënësve serbë.

Ai vlerësoi se “fuqitë perëndimore nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës” dhe se ato “do të pajtohen për një Kosovë të pavarur me çdo kusht”.

“Ne nuk kemi detyrë të lehtë dhe kohë për humor festiv, as kohë për pritje të tepërta, por kohë për t’u përballur me realitetin që na rrethon”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se dialogu me Kosovën është “transparent” dhe se pretendimet se “dikush po fsheh diçka diku dhe po përpiqet të mashtrojë publikun” janë “gënjeshtra”.

“Dialogu është korniza e vetme e mundshme, derisa të arrihet një kompromis me shqiptarët. Ne i kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e Bashkimit Evropian se kemi përmbushur gati gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit. Të tjerat janë detaje që jemi gati t’i përmbushim. Shqiptarët nuk janë gati për të përmbushur atë, për të cilën është rënë dakord”, tha Vuçiq.

Për takimin e parë me Kurtin

Vuçiq foli para deputetëve serbë edhe për takimin e tij të parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që u zhvillua më 15 qershor në Bruksel.

“Për Kurtin, temë e vetme ka qenë: kur do ta njohim pavarësinë e Kosovës?”, tha Vuçiq. Përgjigjja, sipas tij, ka qenë: “Kurrë”.

“Situata është shumë më e vështirë dhe më serioze si për ne, ashtu edhe për ta… Një zgjidhje kompromisi është diçka që duhet të kërkojmë”, u tha Vuçiq deputetëve të Kuvendit të Serbisë.

Çfarë thuhet në raportin për Kosovën?

Raporti i Vuçiqit për deputetët i referohet rrjedhës së dialogut të Serbisë me Kosovën nga maji i vitit 2019 deri më 15 qershor, 2021.

Duke e prezantuar atë, Vuçiq tha se gjatë viteve 2020 dhe 2021, Serbia u ka dhënë serbëve në Kosovë “më shumë se 750 milionë, e madje edhe 800 milionë euro”, ndërsa numëroi edhe investimet e Serbisë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Vuçiq përmendi ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe banesave, si dhe investimet në kisha dhe manastire të Kishës Ortodokse Serbe.

Ai tha se Serbia nuk ka arritur të ndryshojë trendin e emigrimit të serbëve nga Kosova, të cilët, “në kërkim të një jete më të mirë dhe një sigurie më të madhe”, kalojnë për të jetuar në Serbi.

Raportin e fundit për dialogun me Kosovën, Vuçiq e ka prezantuar në Kuvendin e Serbisë në maj të vitit 2019.

Kjo ka qenë hera e parë që Vuçiq ka paraqitur një raport për Kosovën qëkur Partia e tij Përparimtare Serbe (SNS) ka marrë pushtetin në vitin 2012.

Që nga paraqitja e këtij raporti, në Serbi janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në qershor të vitit 2020 dhe përbërja e Parlamentit ka ndryshuar.

Një pjesë e opozitës i ka bojkotuar këto zgjedhje dhe koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit i ka 243 nga gjithsej 250 ulëset e Parlamentit.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011 dhe qëllim i tij është arritja e një marrëveshjeje të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Dialogu ndërmejtësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Përgatiti: Valona Tela

Evropa ndihmon Malin e Zi për borxhin masiv ndaj Kinës

Një institucion financiar evropian është gati për ta ndihmuar Malin e Zi që t’i shlyejë një borxh Kinës, në vlerë prej një miliard dollarësh.

Këtë borxh, Mali i Zi e kishte marrë për një projekt të diskutueshëm të autostradës.

Ministri malazez i Financave, Millojko Spajiq, tha se kredia me interes të ulët nga institucioni financiar do t’i mundësojë Qeverisë malazeze të bëjë kursime dhe të ulë normat e interesit.

Spajiq tha se nuk mund ta zbulojë huadhënësin, por shtoi se bisedimet janë “në fazën e fundit”.

Ai i bëri këto komente më 17 qershor, para Komisionit parlamentar për Financa dhe Buxhet.

Një burim i Bashkimit Evropian konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja për sigurimin e kredisë është në proces të përfundimit dhe se ajo do të nënshkruhet nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Marrëveshja mund t’u japë fund pasigurive të vazhdueshme rreth borxhit në Mal të Zi dhe marrëdhënieve të këtij vendi me BE-në.

Autostrada, e cila nuk ka përfunduar ende, dhe borxhi për të cilën Mali i Zi ka marrë kredi nga Banka Export-Import e Kinës, janë në qendër të një debati të nxehtë për ndikimin e Kinës në Evropë.

Prania e Kinës në Ballkan duket e madhe dhe është rritur viteve të fundit.

Kina ka investuar miliarda në rajon dhe ka rritur shqetësimet për varësi financiare nga Pekini – gjë që mund të komplikojë zgjerimin e BE-së drejt lindjes dhe shpresat e Malit të Zi për t’u anëtarësuar në BE.

Stefan Vlladisavlev, analist në Fondin për Përsosmëri Politike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se rifinancimi i borxhit të Malit të Zi do ta ndihmojë luftën kundër ndikimit në rritje të Kinës në Ballkan.

“Mali i Zi është më i rëndësishëm për BE-në sesa është për Pekinin. Kjo [kredi] është një hap i arsyeshëm për Brukselin”, thotë Vlladisavlev.

Por, sipas tij, BE-ja po ndërhyn për të ndihmuar Podgoricën që t’i stabilizojë financat, vetëm pasi zyrtarët malazezë i kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme ndihmë.

“Përgjigjja duhet të jetë më vendimtare”, thotë Vlladisavlev.

“Megjithatë, është gjë e mirë që BE-ja po kërkon një mekanizëm të mundshëm për ta ndihmuar Malin e Zi dhe kjo duhet të ndihmojë në përmirësimin e imazhit të bllokut [në Ballkan]”, shton ai.

Borxhi i autostradës

Mali i Zi ka huazuar një miliard dollarë nga Kina në vitin 2014, për të financuar pjesën e parë të autostradës prej 163 kilometrash, për në Serbinë fqinje.

Vetë projekti është i ndarë në tre seksione, ndërsa huaja kineze mbulon vetëm 41 kilometrat e parë.

Seksioni i parë i autostradës fillimisht është dashur të përfundojë në vitin 2019, por vonesat në ndërtim dhe pandemia COVID-19 e kanë shtyrë afatin deri më 30 nëntor.

Pavarësisht dështimit të disa studimeve të fizibilitetit, projekti e ka marrë dritën jeshile nga qeveria e kryeministrit të atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq, e cila ka marrë huanë masive kineze për të financuar autostradën.

Gjukanoviq është tani president i Malit të Zi, ndërsa qeveria aktuale – e cila është votuar në muajin dhjetor – përbëhet nga partitë e opozitës, që kryesisht e kanë kundërshtuar projektin e autostradës dhe tani kërkojnë zgjidhje financiare për borxhin në rritje.

Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq i ka shprehur publikisht shqetësimet për borxhin ndaj Kinës në muajin mars. Atëbotë, ai u ka thënë ligjvënësve malazezë se BE-ja duhet të ndihmojë në shlyerjen e huasë, për ta mbrojtur Malin e Zi prej varësisë nga Kina.

BE-ja, megjithatë, nuk ka pranuar të ndihmojë drejtpërdrejt me huanë, por agjencia e lajmeve Reuters ka njoftuar më 11 qershor se Brukseli po përpiqet të mbështetet në një kombinim midis Bankës gjermane të Kredive të Rindërtimit, Agjencisë franceze të Zhvillimit dhe bankës CDP në Itali, për të ndihmuar Malin e Zi.

Qeveria e Malit të Zi – një koalicion me një diferencë të vogël në parlament – aktualisht po lufton me një mori çështjesh politike dhe ekonomike, derisa përpiqet të stabilizojë edhe financat e saj.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia e këtij vendi, e cila varet nga turizmi, është tkurrur për 15.2 për qind në vitin 2020, për shkak të kufizimeve në udhëtime të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Por, parashikimet aktuale tregojnë se ekonomia e Malit të Zi mund të rritet për 9 për qind në vitin 2021.

Kina mban afërsisht një të katërtën e borxhit të përgjithshëm të Malit të Zi, i cili ka arritur në 103 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm, vitin e kaluar.

Pekini është pajtuar që të shtyjë pagesën e këstit të parë të huasë nga Mali i Zi. Kjo pagesë fillimisht është dashur të bëhet në korrik, por është shtyrë për në fund të vitit 2022.

Kina dhe Bashkimi Evropian

Gjetja e një zgjidhjeje për problemet ekonomike të Malit të Zi është një test për qëndrimin e Brukselit në Ballkan dhe për gatishmërinë e BE-së për t’iu kundërvënë gjurmëve të Kinës në këtë rajon, thonë analistët.

“Nuk ka dyshim se Kina është faktori kryesor që udhëheq vendimmarrjen e BE-së”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Vuk Vuksanoviq, studiues në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë.

“Mali i Zi mund të jetë një [fitore] gjeopolitike e lehtë, por shumë e madhe për Kinën në rajon. Dëmtimi i interesave të BE-së në rajon do të jetë i pariparueshëm nëse ajo nuk ndërhyn”, thotë ai.

Mali i Zi, i cili është bërë shtet i pavarur kur është shkëputur nga Serbia në vitin 2006, është anëtarësuar në NATO në vitin 2017 dhe po punon për të marrë dritën jeshile për anëtarësim në BE.

Si shumë vende në rajon, Mali i Zi gjithashtu ka lidhje të forta me Rusinë dhe i është drejtuar Kinës gjithnjë e më shumë, për investime dhe ndërtim të infrastrukturës.

Vuksanoviq thotë se kredibiliteti i BE-së në rajon do të varet nga mënyra se si Brukseli vazhdon ta ndihmojë fqinjin e tij të vogël në Ballkan.

“Kjo i jep Qeverisë malazeze më shumë hapësirë për të marrë frymë dhe një manovrim më të mirë në trajtimin e borxheve ndaj Kinës”.

“Megjithatë, Kina nuk është tërësisht humbëse këtu. Le të mos harrojmë se ajo do të paguhet në fund”, thotë Vuksanoviq.

Përgatiti: Valona Tela

Sofja kërkon nga Shkupi marrëveshje për identitetin maqedonas

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.

Isuf Kadriu

Bullgaria kërkon marrëveshje të re me Maqedoninë e Veriut, ndryshe nga ajo për fqinjësi të mirë që ishte arritur në gusht të vitit 2017, thonë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, Risto Nikovski dhe Arsim Sinani, duke komentuar vizitën të enjten në Sofje, të kryeministrit, Zoran Zaev dhe takimet me kreun shtetëror bullgar.

Përveç angazhimit deklarativ apo nevojës për vazhdim të dialogut, në takimet e realizuara nuk u shënua asnjë përparim, madje presidenti bullgar theksoi nevojën për një marrëveshje të re, që sipas ish diplomatit Risto Nikovski, interpretohet si marrëveshje për zhbërjen e identitetit maqedonas.

Nikovski thotë për Radion Evropa e Lirë, se takimet ishin të panevojshme, pasi që pozicionet e Bullgarisë, tani më janë të njohura për opinionin e gjerë.

“Kërkesa e presidentit Radev mbi nevojën e një marrëveshje të re, është diçka që ne vet po e kërkojmë dhe tani jemi në situatë të heqjes dorë nga marrëveshja e përkuljes, lutjes, të gjithë asaj që kërkon pala bullgare. Nuk ka asnjë dilemë për atë se çfarë kërkon Bullgaria nga ne dhe këtë e ka bërë të qartë në mënyrën më zyrtare të mundshme, në Qeveri dhe Parlament. Ajo kërkon që ne të pranojmë se deri në vitin 1945, nuk ka pasur maqedonas, se nuk ka pasur gjuhë maqedonase, apo se ne jemi ende bullgarë të fjetur, apo se kemi ndryshuar pak, por se pas Luftës së Dytë Botërore, kemi një identitet të ri me prejardhje bullgare”, thotë Nikovski.

Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë për Radion Evropa e Lirë se një marrëveshje me Sofjen është e domosdoshme, ashtu siç ka thënë presidenti bullgar Rumen Radev. Sipas tij, pa një marrëveshje, zhbllokim të procesin integrues nuk mund të ketë.

“Nuk mendoj se Bullgaria do të lëshoj pe për arsye se kontesti, qartazi ka të bëjë me çështje historike, të identitetit, gjuhësore dhe kombëtare, si dhe nuk besoj se Bullgaria do të bëjë lëshime. Por pjesa e politikanëve të Maqedonisë së Veriut, nuk e kupton se duhet të bëjnë kompromis për shkak se ai do të ndihmonte në kapërcimin e situates, për të lëvizur drejt asaj që vendit t’i mundësohet vazhdimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thotë Sinani, duke shtuar se pala maqedonase duhet të pranoj të kaluarën historike, apo se ka më shumë lidhshmëri me Sofjen, por se largimi mes dy popujve, sipas tij, ndodhi pas vitit 1945, kur maqedonasit nisën të ndikohen nga fryma jugosllave për krijimin e një identiteti të ri.

“Situata është pak e ndërlikuar për shkak se nga viti 1945 e këndej në identitetin e maqedonasve të sotëm është investuar që ata të ikin nga identiteti i tyre i vërtetë i para vitit 1945, që realisht më i përafërt ka qenë me Bullgarinë. Dhe Maqedonisë së Veriut i duhet një kohë që të lirohet nga fryma jugosllave dhe të pranojë të kaluarën e vet, pasi në të kundërtën do të kemi probleme të cilat do ti paguajnë jo vetëm maqedonasit, por edhe qytetarët e tjerë që jetojnë në këtë vend”, thotë Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Kryeministri Zoran Zaev, tha se në takimin me drejtuesit e lartë bullgarë, ka dorëzuar një propozim për zhbllokimin e procesit negociues, por pa dhënë detaje se për çfarë propozimi bëhet fjalë.

Jo zyrtarisht, bëhet e ditur se propozimi bazohet në atë të presidencës portugeze me BE-në, që siç është bërë e ditur, ka të bëjë me pranimin e palës maqedonase të modifikimit të çështjeve të identitetit pas vitit 1945, por pa saktësuar prejardhjen e maqedonasve apo të gjuhës së tyre para kësaj periudhe.

Ish diplomati Risto Nikovski, thotë se çfarëdo që të jetë propozimi i Zaevit, paraqet kapitullim para palës bullgare.

“Propozimet që i paraqet pala maqedonase, nuk janë gjë tjetër pos kapitullim, ashtu siç u bë me Greqinë, por shpresoj se këtë populli nuk do ta lejojë. Ne nuk duhet të ngutemi me datën e bisedimeve. Kjo më duket jo normale, pasi sikur edhe sot të nisim bisedimet, ato mund të zgjasin 15 apo 20 vjet, ndërkohë që ne po humbim gjithçka që ka të bëjë me identitetin tonë”, thotë ish diplomati Risto Nikovski.

Pavarësisht kësaj, drejtuesit e institucioneve, thotë se dialogu me palën bullgare do të vazhdojë dhe nëse jo në samitin evropian të 22 qershorit, atëherë deri në vjeshtë apo më së voni deri në fund të vitit, vendi do të arrijë ndonjë kompromis me Sofjen, për zhbllokimin e integrimit evropian.

Shkarkohet ministri malazez që mohoi gjenocidin në Srebrenicë

Ish-ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Vlladimir Leposaviq (në mes).

RFE/RL

Parlamenti i Malit të Zi miratoi të enjten mbrëma (17 qershor) një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës si dhe shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Pro shkarkimit të Leposaviqit votuan 43 deputetë ndërsa 27 ishin kundër.

Më 26 mars, Leposaviq deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

Ky qëndrim nxiti kritika brenda Malit të Zi si dhe nga Bashkimit Evropian e Shtetet e Bashkuara.

Propozimi për shkarkimin e tij u bë nga kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ndërsa u mbështet edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq. Kjo parti është në opozitë.
Çfarë thotë Rezoluta për Srebrenicën?

Rezoluta e miratuar nga Parlamenti i Malit të Zi që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës u votua nga 55 deputetë, 19 ishin kundër dhe 7 abstenuan.

Rezoluta dënon deklaratat, veprimet dhe politikat që mohojnë ose vënë në dyshim gjenocidin në Srebrenicë si dhe shpall 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit për viktimat e Srebrenicës.

Në bazë të kësaj rezolute, Mali i Zi konfirmon vendosmërinë për të parandaluar gjenocidin dhe krime të tjera të rënda në të ardhmen.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.

Kjo ngjarje përbën vrasjet masive më të rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore, meqë aty më 1995 forcat e serbëve të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra dhe djem myslimanë.

Bullgaria nuk i jep shpresa Maqedonisë së Veriut

Kryeministri i Bullgarisë, Stefan Yanev dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

RFE/RL

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev të enjten ka qëndruar në Bullgari në përpjekje për të arritur një marrëveshje me Sofjen para samitit të shefave të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së, më 22 qershor në Luksemburg.

Pas takimit në Sofje me kryeministrin bullgar në detyrë, Stefan Janev, kryeministri maqedonas tha se kapërcimi i dallimeve mes dy vendeve është i mundur, por se për këtë nevojitet përkushtim nga të dyja palët.

“Kemi biseduar për thelbin e problemit përmes udhërrëfyesit dhe propozimit portugez. Neve na takon që të flasim për raportet dypalëshe. Kemi një hapë para dhe zgjidhja është e mundur”, ka deklaruar Zaev pa dhënë detaje tjera mbi rrjedhën e bisedimeve dhe thelbin e kontestit që ka të bëjë me identitetin maqedonas, gjuhën maqedonase dhe të kaluarën historike, kontestohen nga pala bullgare.

Kryeministri bullgar, Janev tha se Bullgaria mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, por edhe ai nuk dha detaje mbi rrjedhën e bisedimeve dhe kushtet e palës bullgare për të hequr veton e fillimit të bisedimeve të anëtarësimit evropian.

“Si fqinj, miq, popuj vëllezër, kemi nevojë për komunikim të shpeshtë dhe shkëmbim mendimesh. Për vite, politika e Bullgarisë ka qenë e orientuar drejt mbështetjes së fortë për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE. Delegacioni i Zaevit doli me një propozim konkret, të cilin do ta shqyrtojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe profesionale në ditët në vijim”, ka deklaruar Janev duke mos dhënë asnjë shpresë për heqjen e vetos bullgare të vendosur në nëntor të vitit të kaluar.

Kryeministri maqedonas paraprakisht ka zhvilluar takime dhe me drejtues tjerë të lartë shtetëror bullgarë përfshirë edhe presidentin Rumen Radev, i cili siç ka bërë të ditur presidenca bullgare ka theksuar “nevojën për dialog të drejtpërdrejtë dhe të hapur për të arritur përparim real me Maqedoninë e Veriut”.

Por, ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, i ka thënë Zaevit se “nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje midis Shkupit dhe Sofjes, brezat e ardhshëm të të dyja vendeve do të urrejnë njëri-tjetrin dhe nuk do të realizohen projekte të rëndësishme në infrastrukturë”.

Kryeministri maqedonas ndërkohë ka paralajmëruar mundësinë që para anëtarësimit në BE, Maqedonia e Veriut të ndryshojë kushtetutën me qëllim që edhe pakica bullgare të jetë pjesë e preambulës së aktit më të lartë juridik në vend.

Pavarësisht toneve pozitive, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka bërë të ditur se ende nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

“Qëndrimi lidhur me kornizën për negociatat për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet e pandryshuar. Kuadri negociues duhet të përmbajë garancitë e nevojshme në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Miqësisë dhe Fqinjësisë të vitit 2017, të cilat aktualisht nuk janë përmbushur. Prandaj, kushtet për të zhvilluar një Konferencë Ndërqeveritare nuk janë përmbushur”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Kryediplomati kroat u kërkon 5 anëtarëve të BE-së ta njohin Kosovën: Do të stabilizohej rajoni

Kroacia po u kërkon anëtarëve të fundit të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës, tha ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grlic Radman, raporton televizioni publik kroat, HRT, transmeton Gazeta Express.

Në vitin 2008, Kosova e shpalli pavarësinë, e njohur nga mbi 100 vende, përfshirë të gjithë anëtarët e BE-së përveç Qipros, Greqisë, Rumanisë, Spanjës dhe Sllovakisë.

 

Kroacia inkurajon pesë anëtarët e tjerë të BE ta njohin Kosovën, sepse kjo do të kontribuonte në stabilizimin e rajonit dhe vetë Kosovës, u tha Grlić Radman gazetarëve.

Sot, ai po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare GLOBSEC në Bratislavë, ku do të diskutohet edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Kryediplomati kroat tha se tri gjëra janë thelbësore për stabilitetin e rajonit: respektimi i integritetit territorial të shteteve, barazia kushtetuese e boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve në Bosnje e Hercegovinë dhe vendosja e besimit të ndërsjellë pas luftërave të viteve 1990.

“Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit duhet të ruhet dhe respektohet. Pa rivendosur kufijtë, siç kemi dëgjuar muajt e fundit duke qarkulluar disa non-papers të famshëm që ishin drejtuar në atë drejtim”, tha Grlić Radman.

Ai beson se mirëbesimi mund të arrihet përmes bisedave të ndershme, zgjidhjes së fatit të të zhdukurve, ndjekjes penale të krimeve të luftës dhe dhënies së drejtësisë për viktimat.

Duke folur për BeH, ai tha se vendi është bllokuar midis dy tendencave politike – centralizmit ose unitarizmit dhe separatizmit.

Vuçiq: Kuvendi i Serbisë diskuton për Kosovën më 22 qershor

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, tha se Kuvendi i Serbisë, më 22 qershor, do të mbajë një seancë, në të cilën do të flitet “detajisht” për dialogun me Kosovën.

Vuçiq tha se në këtë seancë do të diskutohet për “çdo çështje me rëndësi për situatën në Kosovë” dhe se ai do t’i paraqesë planet dhe idetë e Serbisë.

Të martën, Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takuan në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në takimin e parë të tyre u shprehën vetëm qëndrimet dhe pritjet e palëve, ndërsa u arrit pajtim vetëm për mbajtjen e takimit të radhës në muajin korrik.

Vuçiq tha se pala kosovare ka shkuar në Bruksel “me dëshirën për ta detyruar delegacionin e Beogradit që t’i linte bisedimet”.

Ai tha se Serbia refuzoi njohjen e Kosovës, por edhe propozimin për deklaratën e paqes.

Vuçiq po ashtu tha se gjatë javës së ardhshme do të mbahen “disa takime të mëdha me serbët e Kosovës”.

Kurti, pas takimit me Vuçiqin, tha se arritja e marrëveshjes me Serbinë do të jetë e vështirë, por shtoi se nuk është pesimist se një gjë e tillë nuk mund të realizohet.

Ai tha se marrëveshja përfundimtare duhet të përfshijë njohje të ndërsjellë dhe të finalizohet sa më shpejt.

E konfirmuar: Trupi i pajetë që u gjet në Ulqin është i ish-shefit të anti-drogës

Trupi i pajetë që u gjet dje në Ulqin është i ish-shefit shqiptar të anti-drogës, Rudolf Dofi Elezoviç. Autoritetet fqinje e konfirmojnë. Natën e kaluar, anëtarët e policisë kufitare gjetën trupin e pajetë të oficerit të policisë Rudolf Elezović në lumin Bojana, zhdukja e të cilit u raportua më 27 maj.

Institucioni i Policisë shpjegoi se prokurori i shtetit në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë u informua për ngjarjen dhe urdhëroi që trupi të dërgohet për autopsi në mënyrë që të përcaktojë shkakun e vdekjes.

“Autopsia u krye dhe zbulimi drejtohet nga Zyra e Prokurorit të Lartë të Shtetit në Podgoricë,” njoftoi UP.

“Vijesti” njoftoi këtë mëngjes se policia e Ulqinit gjeti një trup të pajetë të dyshuar si i Elezoviq. I njëjti burim tha se shkaku i vdekjes do të përcaktohet nga autopsia, por që tani për tani, gjithçka tregon për vetëvrasje.

Zhdukja e Elezoviç u raportua nga gruaja e tij Marina më 27 maj.

Elezoviç shërbeu si shef i policisë së Ulqinit për gati gjashtë vjet, deri në vitin 2014, kur u zëvendësua nga Sead Djozovic. Më parë, ai gjithashtu ka punuar për disa vjet në pozita menaxheriale në OB Ulqin dhe më vonë ka mbajtur poste të përgjegjshme në sektorin e policisë kufitare.

“Kosova për ne është si Jerusalemi për hebrenjtë”, fjalia e klerikut serb pak orë pas takimit me Lajçakun dhe Palmerin

Miroslav Lajcak dhe Matthew Palmer kanë takuar gjatë vizitës në Beograd edhe kreun e Kishës Ortodokse të Serbisë, patriarkun Porfirije. Lajcak ka treguar se me klerikun serb kanë diskutuar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Për një takim të tillë me Porfirijen ka reaguar ashpër, doktori i shkencave politike, boshnjaku, Jasmin Mujanoviq, duke e cilësuar si një vendim të tmerrshëm, meqë sipas tij, nuk duhet që të faktorizohen drejtuesit e institucioneve fetare për çështje që ndërlidhen me politikë.

Pas këtij takimi ka folur edhe vetë patriarku serb, Porfirije, i cili ka thënë se për  serbët “Kosova është ajo çfarë Jerusalemi është për Izraelin.

“Për serbët, Kosova është çfarë është Jerusalemi për hebrenjtë dhe patriarkana e Pejës për Kishën Ortodokse është çfarë është Vatikani për Kishën Katolike”, ka thënë Porfirije, shkruan Novosti, raporton Gazeta Express.

Ai tutje ka thënë se Kosova, “Srpska Republika” dhe Mali i Zi janë të një rëndësie vitale për Serbinë, derisa ka drejtuar akuza drejt Prishtinës zyrtare se Kosova është e pa interesuar për dialog./GazetaExpress/

“Vendim i tmerrshëm”, Mujanoviq kritikon ashpër Lajçakun e Palmerin

Jasmin Mujanoviq, doktor i shkencave politike, ka reaguar ndaj emisarit të BE’së, Miroslav Lajcak, dhe përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit Amerikan dhe të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, për takimin që kanë zhvilluar të dy në Beograd me kreun e Kishës Otrodokse të Serbisë, patriarkun Porfirije, shkruan Gazeta Express.

Mujanoviq ka thënë se një vendim i tillë për të takuar Porfirijen është i tmerrshëm, meqë thotë se është gabim trashanik të promovohen institucionet fetare si faktorë politik.

“Ky është më të vërtetë një vendim i tmerrshëm nga të gjitha palët e përfshira. As BE-ja e as SHBA-ja nuk duhet të përfshihen në punë të promovimit të institucioneve fetare si aktorë politik. Një gjykim jashtëzakonisht i keq nga Lajcak dhe Palmer”, ka shkruar Mujanoviq.


Send this to a friend