VOAL

VOAL

Erdoğan: Ukraina nuk mund të tolerojë luftë, kjo duhet të jetë një gjë e së kaluarës

Erdoğan u shpreh se Ukraina nuk është një vend i zakonshëm, por është një vend i fuqishëm, duke shtuar se përpara se të ndërmarrë veprime për Ukrainën, “Rusia duhet të rishikojë situatën e saj si dhe situatën në mbarë botën”

Ankara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se perspektiva e konfliktit në Ukrainë “nuk është e tolerueshme” dhe se luftërat duhet të mbesin një gjë e së kaluarës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Një pushtim rus i Ukrainës nuk është një qasje realiste”, u tha presidenti Erdoğan gazetarëve gjatë kthimit nga vizita në Shqipëri, duke folur për përplasjen aktuale të tensionuar të Ukrainës me Rusinë.

Ai u shpreh se Ukraina nuk është një vend i zakonshëm, por është një vend i fuqishëm, duke shtuar se përpara se të ndërmarrë veprime për Ukrainën, “Rusia duhet të rishikojë situatën e saj si dhe situatën në mbarë botën”.

Duke vënë në dukje nevojën për të diskutuar situatën me presidentin rus Vladimir Putin, Erdoğan theksoi: “Këto rajone nuk mund të tolerojnë më luftën. Nuk do të ishte e drejtë. Duhet ta fshijmë luftën nga historia e politikës”.

Në kohën kur vërehet grumbullim ushtarak rus në kufijtë e Ukrainës, ndërsa vendet perëndimore kërcënojnë me sanksione në rast të veprimit ushtarak, Turqia është në një pozicion unik, pasi gëzon marrëdhënie miqësore edhe me Moskën, edhe dhe Kievin.

Erdoğan tha se politika e Turqisë për një pushtim të mundshëm është e qartë, siç mund të shihet në pozicionin e saj për Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Forcat ruse hynë në Gadishullin e Krimesë në shkurt të vitit 2014 ndërsa Putini e bëri zyrtarisht rajonin pjesë të Federatës Ruse.

Turqia dhe SHBA, si dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e shohin aneksimin si të paligjshëm.

Erdoğan tha gjithashtu se do të konsultohej me presidentin e Azerbajxhanit, Aliyev, i cili vizitoi Ukrainën javën e kaluar.

Gazsjellësi “EastMed”

Duke folur rreth çështjeve tjera, Erdoğan komentoi tërheqjen e mbështetjes së SHBA-së nga gazsjellësi “EastMed”, në të cilin Turqia nuk është partner, duke thënë se Washingtoni thjesht po përkulej para realitetit të situatës.

Presidenti turk tha se vendimi i SHBA-së ishte thjesht ekonomik, pasi pa se “asgjë nuk do të vijë” nga projekti.

“Ky projekt nuk mund të realizohej pa Turqinë. Sepse nëse gazi do të shkojë në Evropë nga këtu, kjo mund të ndodhë vetëm përmes Turqisë”, tha Erdoğan.

Ministri izraelit i Energjisë dikur propozoi që Turqia t’i bashkohej projektit të gazsjellësit dhe madje edhe tani, “mund të diskutohen kushtet”, tha Erdoğan, duke theksuar se vetëm me përfshirjen turke është i realizueshëm një tubacion i tillë.

Presidenti turk gjithashtu theksoi disa përparime në marrëdhëniet e trazuara prej kohësh midis Turqisë me Izraelit, duke thënë se ai ka folur me homologun e tij izraelit, Isaac Herzog.

“Kryeministri izraelit (Naftali) Bennett dërgon lajme në një nivel tjetër. Siç e dini, kohët e fundit kam pritur anëtarët e Aleancës Rabinike të Vendeve Islamike në kompleksin presidencial (turk) dhe kemi pasur takime me ta”, tha ai.

“Nëse do të bëjmë politikë, politika nuk është një luftë. Ne duhet ta çojmë politikën në vijën e paqes”, shtoi ai.

SHBA më 11 janar tërhoqi zyrtarisht mbështetjen e saj për projektin “EastMed” ndërsa Ambasada e SHBA-së në Athinë tha se Washingtoni “po e zhvendos fokusin tek ndërlidhësit e energjisë elektrike që mund të mbështesin si gazin ashtu edhe burimet e rinovueshme të energjisë”.

Në vitin 2020, Greqia, Izraeli dhe administrata e Qipros Greke nënshkruan një marrëveshje për të ndërtuar një tubacion gazi natyror prej 1.900 kilometrash në Mesdheun Lindor (EastMed).

Shumë ekspertë thanë se kostoja e përllogaritur e transferimit të gazit natyror do të ishte tre herë më e lirë nëse tubacioni kalon përmes Turqisë.

Megjithëse Ankaraja dhe Tel Avivi kanë shprehur gatishmërinë për të negociuar për një transferim të tillë gazi nëpërmjet Turqisë, bisedimet nuk kanë përfunduar kurrë.

Një ditë pas takimit me Ramën, Erdogan pret Vuçiçin në Turqi

Një ditë pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Tiranë ku ishte i pranishëm në një vizitë zyrtare, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan do të presë në Turqi, presidentin e Serbisë Aleksander Vuçiç.

Në kuadër të vizitës, në kryeqytetin Ankara do të mbahet takimi i tretë i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Serbi.

Në mbledhjen e këshillit që do të mbahet me pjesëmarrjen e ministrave përkatës, do të shqyrtohen në të gjitha aspektet marrëdhëniet Turqi-Serbi dhe do të diskutohen hapat që mund të ndërmerren për thellimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh.

Gjithashtu do të shkëmbehen mendime për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, në radhë të parë në Ballkan, mbi bazën e të kuptuarit të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

Marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Serbisë kanë arritur nivelin më të mirë në histori, tha ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu gjatë vizitës së tij në vendin ballkanik në gusht./dita

Kroaci, nga shtatori çmimet në euro dhe kuna, monedha zyrtare euro nga viti 2023

Zagreb

Nga shtatori i këtij viti, të gjitha çmimet në Kroaci do të paraqiten në euro dhe kuna ndërsa euro do të jetë valuta e vetme me vlerë nga 1 janari 2023, njoftoi kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri kroat, Plenkoviç dhe ministri i Financave, Zdravko Mariç prezantuan në ndërtesën e Qeverisë projektligjin për futjen e euros si monedhë zyrtare në Kroaci dhe udhëzimet për rregullimin e ekonomisë në procesin e zëvendësimit të kunës kroate me euron.

Ligji do të dërgohet sot zyrtarisht në procesin e konsultimit publik.

Në fjalimin e tij, Plenkoviç tha se më 10 korrik 2020, Kroacia u pranua në Mekanizmin Evropian të Kursit të Këmbimit dhe në Unionin Bankar, i cili konfirmoi reputacionin e vet se ajo i përmbush sistematikisht objektivat për zonën e euros dhe se Kroacia miratoi planin për zëvendësimin e kunës me euron një vit më parë.

Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2022 qeveria kroate do të dërgojë rreth 70 ligje që kanë të bëjnë me futjen e euros, meqë euro do të futet si valutë zyrtare në Kroaci nga data 1 janari 2023.

“Për një vit, mjeti i vetëm i pagesës në Kroaci do të jetë euro”, tha Plenkoviç.

Ai bëri të ditur se ligji i ri për mbrojtjen e konsumatorit do të ndalojë rritjen e pajustifikuar të çmimeve.

Plenkoviç theksoi se gjatë vitit të ardhshëm, duke filluar nga 1 janari 2023, në banka dhe posta kroate, nuk do të ketë shpenzime për qytetarët gjatë shkëmbimit të kunës në euro.

Në pesë, dhjetë ose më shumë vitet e ardhshme, çdo qytetar do të mund të shkëmbejë falas kartëmonedhat kuna në Bankën Kombëtare Kroate për euron.

Tubacioni TAP shpërndau 8.1 miliard metër kub gaz që nga fillimi i tij një vit më parë

Ankara

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) transportoi 8.1 miliardë metra kub (bcm) gaz natyror në Evropë që nga fillimi i funksionimit të saj më 31 dhjetor 2020 deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në llogarinë e saj në twitter, TAP njoftoi se nga ky kapacitet total mbi 6.8 bcm arritën në Itali, ndërsa rreth 1.2 bcm u dërguan në Greqi dhe Bullgari.

TAP është një pjesë thelbësore e Korridorit Jugor të Gazit, duke ofruar një rrugë transporti të drejtpërdrejtë dhe me kosto efektive për në vendet e Evropës Juglindore dhe më gjerë.

Gazsjellësi transporton gaz natyror nga pellgu i Kaspikut në Evropë, duke u lidhur me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin greko-turk, e cila kalon përmes Greqisë veriore, Shqipërisë dhe Detit Adriatik përpara se të dalë në brigjet e Italisë jugore për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror.

Të dhënat e fundit për aksidentin në Serbi: 16 mërgimtarë u lënduan, morën trajtim mjekësor dhe vazhduan rrugën

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), njofton se qytetarët e aksidentuar në mbrëmjen e së martës në Krushevc të Serbisë, të cilët po udhëtonin tranzit me autobusë drejt Sllovenisë, kanë vazhduar udhëtimin e tyre pas marrjes së trajtimit mjekësor.

Siç njofton MPJD, nga ky grup, një udhëtare nuk e ka vazhduar udhëtimin me vetëdëshirë dhe është në pritje të transportit privat.

Tutje, në njoftimin dërguar mediave, thuhet se nga vizitat dhe bashkëbisedimi me të lënduar, në autobus me rastin e aksidentit kanë qenë 78 udhëtarë dhe prej tyre 16 kanë pranuar trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve.

“MPJD-ja me të pranuar informacionin, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd ka komunikuar me autoritetet për ngjarjen dhe për të lënduarit dhe zyrtarët nga Zyra jonë Ndërlidhëse kanë dalë në vendin e ngjarjes. Në funksion të ofrimit të asistencës dhe përkujdesjes institucionale, zyrtarët tanë i kanë vizituar të lënduarit edhe në Qendrën Spitalore”, thuhet në njoftim.

“MPJD-ja falënderon autoritetet në vendin e ngjarjes për asistencën dhe trajtimin mjekësorë të të lënduarve”, përfundon njoftimi i tyre.

Shënohen incidente dhe provokime përpara ditës jokushtetuese të Republika Srpskas në Bosnjë

Sarajevë

Incidente, provokime dhe fyerje ndaj joserbëve dhe boshnjakëve u regjistruan në disa qytete, duke përfshirë Gacko, Foça, Prijedor, Brçko dhe Janja, në prag të kremtimit të Ditës antikushtetuese të Republikës Srpska, një entitet në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH), raporton Anadolu Agency (AA).

Në distriktin Brcko të BeH-së janë regjistruar disa incidente dhe në njërën prej tyre tifozët e grupit “Sindikat” mbrëmjen e së shtunës kanë bërë një kortezh me pishtarë në bulevard, për shkak të së cilës qarkullimi është bllokuar për një periudhë të caktuar.

Anëtarët e të njëjtit grup tifozësh ndriçuan një ndërtesë me imazhin e Shën Stefanit, të cilin ata e konsiderojnë si “mbrojtësin e entitetit të RS”. Gjithashtu, në Brçko u shkatërruan sërish mbishkrimet kushtuar viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.

Ditët e mëparshme incidente dhe provokime të ngjashme drejtuar boshnjakëve u regjistruan edhe në disa qytete të tjera në entitetin e Republika Srpskas të BeH-së.

Të shtunën në Prijedor, një grup i madh njerëzish kënduan këngë në rrugët e qytetit për nder të Ratko Mlladiç-it, i dënuar për krime lufte. Gjithashtu në rrjetet sociale është shfaqur një video në të cilën një grup njerëzish me flamuj ecin nëpër Prijedor dhe këndojnë “Gjeneral, faleminderit nënës tuaj” duke brohoritur emrin e Ratko Mlladiç-it, njërit prej të dënuarve për gjenocidin në Podrinje.

Po ashtu, në Foçë u shpalosën flamuj për nder të të dënuarit për krime lufte Mlladiç, ndërsa në Gacko nga altoparlanti u lëshua këngë e quajtur “Nuk të dua Alija, sepse je i egër”, që nxit urrejtjen dhe intolerancën ndëretnike.

Të enjten, u dëgjuan të shtëna me armë zjarri para xhamisë Atik në Janja dhe sipas dëshmitarëve okularë, meshkuj nga një kolonë makinash që u ndalën në autostradën Bijeljina-Zvornik fyenin në bazë kombëtare besimtarët që ktheheshin nga lutjet e sabahut. Të shtëna në ajër u lëshuan dhe fjalë të rënda fashisto-shoviniste u shqiptuan nga një grup meshkujsh që transportonin një pemë Krishtlindjesh në makinat e tyre.

Incidenti u raportua në Ministrinë e Brendshme të RS dhe boshnjakët në Janja thanë se ishin të mërzitur dhe të indinjuar nga provokimet, fyerjet dhe kërcënimet.

Entiteti Republika Srpska feston Ditën e RS-së çdo vit më 9 janar, pavarësisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës që e shpallin atë jokushtetues. Më 9 janar të vitit 1992, Kuvendi i vetëshpallur i Popullit Serb në Sarajevë miratoi “Deklaratën për Shpalljen e Republikës së popullit serb të Bosnjë e Hercegovinës”.

Gjykata Kushtetuese e BeH-së vendosi në nëntor të vitit 2015 dhe mars të vitit 2019 se festa ishte “jokushtetuese dhe në kundërshtim me konventën ndërkombëtare për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor dhe në kundërshtim me protokollin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Liritë Themelore”.

Serbia lavdërohet me armë të reja të blera nga Rusia

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka njoftuar për një dërgesë të re të armëve nga Rusia megjithë frikën se investimi i madh i shtetit në ushtri mund të dërgojë në tensione të reja në rajon.

Vuçiq mori pjesë në trajnim të ushtrisë në një bazë ushtarake afër Beogradit në të cilin ushtrim u përfshinë raketa anti-tanke “Kornet” që i kanë blerë së fundmi, raporton AP.

“Jam i gëzuar që ushtarët tanë janë të kënaqur për blerjet e Kornetëve nga Rusia. Është ndoshta një ndër armët më të mira anti-tank në botë”, tha Vuçiq.

Ai tha se “Kornetët janë një mjet i rëndësishëm mbrojtës për të larguar ndonjë agresion të mundshëm ndaj shtetit”.

Serbia së fundmi është akuzuar se se po punon me Rusinë për të destabilizuar fqinjët: Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën.

Së fundmi, Serbia është armatosur kryesisht me aeroplanë ushtarakë rusë dhe kinezë, dronë dhe sisteme anti-raketore.

Në muajt e fundit, Rusia i ka dhënë Serbisë 30 tanke luftarake dhe 30 transportues të blinduar.

Serbia gjithashtu ka blerë sistemin ajror të mbrojtjes të sofistikuar nga Rusia si dhe helikopterë transportues dhe dronë nga Kina.

Vuçiq tha të hënën se Serbia “mbetet në rrugën e saj evropiane” por shtoi se do të vazhdojë të ushqejë lidhjet miqësore me Rusinë dhe Kinën.

Për t’u bashkuar me BE-në, Serbia ka nevojë për mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, por qeveria ka mbajtur marrëdhënie të ftohta me vendin tjetër ballkanik, Kroacinë, anëtari i fundit i ri i pranuar në bllok.

Kroacia, e cila është gjithashtu anëtare e NATO-s, është në një mini garë armatimi me Serbinë, e cila së fundmi ka marrë gjashtë avionë luftarakë MiG-29 të përdorur nga Rusia dhe katër të tjerë të këtij lloji nga Bjellorusia. Në nëntor, qeveria kroate njoftoi blerjen e 12 avionëve luftarakë Rafale nga Franca.

Trifonov: Bullgaria ia heq veton Shkupit nëse SHBA ua heq vizat bullgarëve

Isuf Kadriu

Një nga liderët e koalicionit qeveritar në Bullgari, Slavi Trifunov, i partisë “Ka një popull të tillë” ka thënë se Sofja mund të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, nëse Shtetet e Bashkuara heqin vizat për shtetasit bullgarë.

“Nëse amerikanët duan aq shumë që Maqedonia e Veriut të jetë në Bashkimin Evropian, qytetarët e Bullgarisë, si dhe qytetarët e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, nuk duhet të kenë nevojë për viza për të shkuar në Amerikë”, tha Trifonov, prezantues i njohur televiziv.

Ai heqjen e vetos e ka kushtëzuar edhe me kërkesën që Bullgaria të bëhet menjëherë anëtare e zonës Shengen.

“Edhe ne duhet të jemi evropianë. Tani jemi më pak evropianë se evropianët e vërtetë. Kështu që, unë kërkoj që menjëherë të jemi pjesë e zonës Shengen dhe të mos ketë viza për Amerikë”, ka shkruar Trifonov në rrjetet sociale.

Përmbushja e këtyre dy kushteve nga SHBA-ja dhe BE-ja, si dhe përmbushja e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë nga Maqedonia, sipas Trifonovit, do të mjaftojnë që Bullgaria të lejojë Maqedoninë e Veriut të fillojë negociatat për anëtarësim në BE.

Ai bëri të ditur se më 10 janar do të mbahet takim këshillues për Maqedoninë e Veriut me presidentin bullgar, Rumen Radev.

Ai nuk tha drejtpërdrejt nëse partia e tij do ta dorëzojë zyrtarisht propozimin, por tha se “të gjithë po u bëjnë presion që të dorëzohen” lidhur me kontestin me Maqedoninë e Veriut.

Trifonov ka shprehur habinë se si është e mundur që “qindra mijëra maqedonas kanë pasaporta bullgare” dhe në të njëjtën kohë të ketë “urrejtje ndaj bullgarëve në Maqedoninë e Veriut”.

“Librat tuaj të historisë thonë se bullgarët janë fashistë. Pra, ju vetë jeni fashistë”, ka thënë mes tjerash Trifonov.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2019 ka vendosur veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar fillimisht arritjen e një marrëveshjeje për gjuhën e identitetin maqedonas, që sipas Sofjes kanë “rrënjë bullgare”.

Maqedonia e Veriut shpreson se në gjashtë muajt e parë të vitit 2022 mund të arrihet zgjidhje, bazuar në një plan të kryeministrit të ri bullgar, Kiril Petkov që dy vendet të formojnë grupe punuese për të biseduar edhe për çështjet si: ekonomia, infrastruktura, shëndetësia e çështje tjera.

Video skandaloze- Policët serbë festojnë me këngë e lavde për gjenocidin në Srebrenicë, reagon ashpër deputeti shqiptar

Një video e punonjësve të Drejtorisë së Policisë së Pribojit në Serbi, që dëgjohen duke kënduar këngë që u kushtohen çetnikëve serbë që kryen krime në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë gjatë presidencës së Sllobodan Millosheviç, është cilësuar si skandaloze. Ne video ata i thurin lavde gjenocidit të Srebrenicës dhe bëjnë thirrje për krime të reja ndaj minoriteteve pakicë në Serbi.

Sipas sandzakpress.rs, videon e ka publikuar në Facebook njëri prej policëve nga Priboj i Serbisë dhe është realizuar në një restorant gjatë festës së Vitit të Ri.

Kujtojmë se Priboj është një mjedis multietnik, ku gjatë luftës në Bosnje, edhe kundër qytetarëve boshnjakë të kësaj komune të Sanxhakut janë bërë krime të tmerrshme për të cilat askush nuk ka marrë përgjegjësi.

Gjatë viteve 90 të shekullit të kaluar, policët serbë frymëzoheshin me vargje të tilla për të kryer gjenocid edhe në Kosovë.

Për këtë ka reaguar edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. Sipas tij, këngët e policëve për Srebrenicë të re në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiçit.

“Këngët e policëve për Srebrenicë të re në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiçit.

“O Pazar – Vukovari i ri, oj Sjenicë – Srebrenicë e re”. Këto janë vargjet të cilët gjatë festimit të vitit të ri i kënduan disa pjesëtarë të policisë që veprojnë në zonën e Sanxhakut. Ato i publikuan me krenari edhe në rrjetet e tyre sociale. Sigurisht.

Çfarë të pritet nga polici kur Ministri i tij mohon çdo ditë gjenocidin e Srebrenicës, me heshtjen miratuese të Presidentit Vuçiç. Këngët e policëve në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiçit”, ka shkruar Kamberi.

Diaspora dërgoi 8,5 miliardë euro remitenca në vendet e rajonit

Shkup

Të dhënat e Zyrës së Statistikave të BE-së (Eurostat) tregojnë se në vitin 2020, nga vendet e Bashkimit Evropian janë dërguar mbi 8,5 miliardë euro drejt shteteve të Ballkanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë vitit 2020, diaspora ka dërguar 361 milionë euro në Maqedoninë e Veriut, që është 3,4 për qind nga Prodhimi Bruto i Brendshëm (PBB) i vendit. Kjo është vlera më e ulët nëse krahasohet me të dhënat e vendeve të rajonit.

Nga rajoni, remitencat nga jashtë janë më të mëdha në Serbi dhe arrijnë në rreth 3,37 miliardë euro, që është 7,2 për qind e PBB-së së vendit.

Pas Serbisë, diaspora nga BE dërgoi më shumë para në Bosnje e Hercegovinë – 1,63 miliard euro (9,3 për qind të PBB-së), e ndjekur nga Shqipëria – 1,27 miliard euro (9,8 për qind të PBB-së), Kosova – 1,25 miliard euro (18,5 për qind të PBB-së) dhe Mali i Zi – 524 milionë euro (12,5 për qind të PBB-së).

Brenda BE-së, sipas të dhënave të Eurostat, varësinë më të madhe nga remitencat nga jashtë në vitin 2020 e kishte Kroacia – 7,3 për qind të PBB-së; Letonia – 3,2 për qind të PBB-së dhe Rumania – 3,1 për qind.

Të dhënat e Eurostat-it tregojnë gjithashtu se në vitin 2020 fluksi i parave të dërguara nga rezidentët e BE-së drejt vendeve jashtë BE-së si remitenca arriti në 34,1 miliardë euro, një rritje prej 3 për qind krahasuar me 33,2 miliardë euro në 2019-ën.

Shuma e parave të hyra në BE në vitin 2020 është 12 miliardë euro. Kjo është një rënie prej 6 për qind, krahasuar me 12,8 miliardë euro në vitin 2019.

Akademiku boshnjak Sidran: Kosova i shpëtoi gjenocidit dhe u bë shtet, në Bosnjë kërkojnë shtet ata që bënë gjenocid

Shkrimtari, akademiku dhe skenaristi boshnjak, Abdullah Sidran tha se anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik po sillet sipas planeve të ekspertëve të Beogradit.

“Mendoj se ekspertët nga Beogradi e edukuan Dodikun në këtë mënyrë”, thotë Sidran, i cili bëri një dallim mes Kosovës dhe Bosnjës, transmeton Gazeta Express.

“Dallimi në mes Bosnjës dhe Kosovës është se Kosova fitoi të drejtën e pavarësisë për shkak se u përball me një tentativë gjenocidi dhe ata që i shpëtuan tentim-gjenocidit kanë të drejtë të shkëputen, ndërsa në Bosnjë shkëputjen e kërkojnë ata që kanë kryer gjenocid”, tha ai në një emision televiziv, shkruajnë mediat boshnjake.

Për situatën në Bosnjë, Sidran tha se rrethanat nuk janë aspak të lehta. Sipas tij, këshilli i intelektualëve boshnjakë është adresa për ta trajtuar situatën.

I pyetur nëse është koha për të thirrur një seancë më parlamentin boshnjak, Sidran tha:

“Kjo është pyetja kryesore. Ideja është që gjithçka të shkojë në mënyrë multietnike dhe shtetërore dhe kështu do të shkojë, ne nuk kemi nevojë vetëm për boshnjakët”, tha ai.

Anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Dodik kërcënoi hapur të mërkurën se do ta ndalojë punën e organeve gjyqësore shtetërore në territorin e Republika Srpskas dhe se ligjet e RS do të miratohen brenda një muaji për t’i legalizuar përpjekjet e para konkrete për shkëputjen nga Bosnja.

Dodik sulmoi vendet e Evropës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u tha qeverive të këtyre vendeve se ato janë jodemokratike dhe se politikat e tyre do të dështojnë ta shpëtojnë Bosnjën. Ai u shpreh i shqetësuar veçanërisht nga ministrja e re e e Punëve të jashtme në Gjermani, Annalena Baerbock, e cila mbron hapur propozimin për sanksionimin e Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ai konfirmoi se politika e tij nuk ka shumë mbështetës në Evropë, por vlerësoi kryeministrin hungarez Viktor Orban, të cilin e quajti “një burrë shteti i rëndësishëm evropian” dhe “vizionar”, ndërsa tha se RS do të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie miqësore me Hungarinë.

Së fundmi, gazeta britanike, The Guardian shkroi se Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Olivér Várhelyi, i afërt me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i ka kërkuar Dodikut vetëm shtyerjen e planit të tij për shpërbërjen e Bosnjës.

Ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare ish-Presidenti i Greqisë Karolos Papoulias

ATHINË

Ish-presidenti grek Karolos Papulias, i cili shërbeu dy mandate midis 2005 dhe 2015, vdiq të dielën në moshën 92-vjeçare, tha presidenca greke. Ai lindi në fshatin Molyvdoskepastos afër Janinës në vitin 1929 dhe ishte djali i gjeneral lejtnant Grigorios Papulias.

Papulias, ishte gjithashtu ministër i jashtëm në vitet 1985-89 dhe 1993-96, ishte një anëtar i rangut të lartë të partisë socialiste PASOK dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i liderit të saj të ndjerë dhe ish-kryeministrit Andreas Papandreu. Ai ka shërbyer edhe si deputet i qarkut të tij të Janinës për 26 vjet.

Presidentja Katerina Sakellaropoulou i bëri homazhe Papulias për rolin e tij në rezistencën kundër pushtimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kundër juntës ushtarake të Greqisë 1967-74.

“Pjesëmarrja e tij në rezistencën kombëtare dhe luftën kundër diktaturës… pasqyroi përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj idealeve të lirisë dhe drejtësisë, të cilat ai i mbrojti gjatë gjithë jetës së tij,” tha Sakellaropoulou në një deklaratë.bw

‘Po ndjek hapat e Millosheviçit’- Ishkryeministri serb kryqëzon Vuçiçin: Do gjakderdhje…

Ish-kryeministrit serb Zarko Koraç ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë që edhe Aleksandar Vuçiç të provokojë gjakderdhje për të tentuar të qëndrojë në pushtet, njësoj si Sllobodan Milloshevici.

Sipas Koraç, Vuçiç është duke ndjekur të njëjtin model si Millosheviçi, për të ruajtur pushtetin e tij me gjakderdhje.

Atë ditë, më 24 dhjetor 1996, shpresoja se shumica e Serbisë do të binden se Sllobodan Millosheviçi ishte gati të ruante pushtetin e tij me çmimin e gjakderdhjes në rrugë. Më pas, duke organizuar një kundërmbledhje, me vetëdije hyri në konflikt me dëshirën për të demonstruar se gëzon mbështetjen e madhe të popullit. Si dikush që ka qenë në rrugë gjatë gjithë kohës, edhe atë ditë, dhe si pjesëmarrës në të gjitha demonstratat e viteve 1990, dëshmoj se Sllobodan Milloshevici solli njerëz nga brendësia, siç bën sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic. Duke ndjekur të njëjtin model me qëllimin për të shkaktuar gjakderdhje. Fatkeqësisht, sot, kaq shumë vite pas kundërmbledhjes së Millosheviçit, nuk e përjashtoj mundësinë që edhe Aleksandar Vuçiç të provokojë gjakderdhje për të tentuar të qëndrojë në pushtet “- ishte kjo një pjesë e deklaratës së ish-kryeministrit serb Zarko Koraç për mediat serbe.

Për paralelet me situatën aktuale në Serbi veçanërisht për dhunën e shkaktuar nga regjimi i Aleksandër Vuçiçit gjatë protestave të fundit mjedisore, reagimin e papërshtatshëm të policisë ndaj qytetarëve Zarko Koraç thotë se lidhja është e vërtetë, duke paralajmëruar se mund të jetë edhe më e dukshme.

Ishte më se e qartë se shumica e atyre njerëzve të sjellë në kundërmbledhjen e vitit 1996, nuk kanë qenë asnjëherë në kryeqytet dhe as nuk e njohin Beogradin. Në një moment, në vendin ku isha unë, sot është rruga Deçanska, dikur Moshe Pijade, diku në mes të Qendrës së Rinisë dhe Sheshit Nikolla Pashiç, ishte përzierja e këtyre grupeve dhe vërtet mendoja se do të derdhej gjak. Në atë skenë të improvizuar, para hotelit Moskva, ku Millosheviçi mblodhi bashkëluftëtarët e tij, kishte njerëz që janë edhe sot, që nga pronari i TV Pink, Zheljko Mitrovic, e deri te shumë të tjerë. Ata e përkrahën gjakderdhjen edhe atëherë. Të njëjtët që janë ende shërbëtorë të regjimit të Vuçiçit, edhe atëherë kanë qenë në kundërmbledhjen e Sllobodan Millosheviçit”- u shpreh ai.

Ai shton se synimet për të provokuar gjakderdhje janë përsëritur edhe më 5 tetor 2000. syri.net

The Guardian: Várhelyi i afërt me Orbanin kërkoi vetëm që të shtyhej pak plani i Dodikut për shpërbërjen e Bosnjës

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian po punojnë në prapaskenë për ta “korrigjuar” një ligj të ri në Bosnjë-Hercegovinë (BeH) që kriminalizon mohimin e masakrës së 8,000 myslimanëve në Srebrenicë, pasi konkludohet privatisht se rrezikon rindezjen e konfliktit të ri rajonal, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Milorad Dodik, anëtari serb i udhëheqjes trepalëshe të Bosnjës, është akuzuar muajt e fundit se kërkon ta shpërbëjë vendin duke tërhequr pjesën serbe nga institucionet e nivelit shtetëror.

Ai ka pohuar se ka një çekuilibër pushteti dhe se kur Valentin Inzko, kreu në largim i zyrës së përfaqësuesit të lartë të Bosnjës, e shpalli të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit këtë verë, ishte jodemokratike dhe simptomatike e problemit.

Lëvizjet e Dodik janë dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, i cili e akuzon atë se e po e çon rajonin në luftë, por së fundmi u zbulua se komisioneri evropian për Zgjerim, Olivér Várhelyi, ka arritur në përfundim se ligji i Inzkos është përgjegjës për krizën aktuale.

Gjatë një takimi me delegacionin e BE-së në Bosnjë, Várhelyi – i cili është përgjegjës për forcimin e marrëdhënieve të bllokut me BeH – dha “vlerësimin e tij të sinqertë” se Inzko “ishte fajtor për krizën aktuale politike” në vend dhe “delegjitimimin” e zyrës së përfaqësuesit të lartë.

“Ndërsa amendamentet e Inzkos nuk mund të kundërshtoheshin nga pikëpamja e thelbit të ligjit, fakti që ai u imponua në ditën e fundit të mandatit të HR Inzko kishte qenë problematik”, thuhet në raportin e procesverbalit të Várhelyit në mbledhjen e datës 25 nëntor.

“Veçanërisht për shkak se ishte një vendim i rëndësishëm, ai duhej të bazohej në një debat të plotë me të gjithë në bord. Pyetja është tani se si ta korrigjojmë këtë.”

Várhelyi, një hungarez i afërt me kryeministrin e djathtë të vendit të tij, Viktor Orbán, u tha kolegëve të tij zyrtarë të BE-së se udhëheqja myslimane boshnjake kishte sinjalizuar gatishmërinë për ta zgjidhur këtë çështje nëpërmjet miratimit të një ligji të ri që mund ta kthejë Dodikun dhe entitetin e Republika Srpskas në Serbi, shkruan The Guardian, transmeton Express.

Marrëveshja e paqes e Dejtonit e vitit 1994 i dha fund një lufte civile që kushtoi rreth 100,000 jetë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, duke përfshirë më shumë se 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë të vrarë në dhe rreth qytetit të Srebrenicës.

Marrëveshja krijoi një kushtetutë të re për Bosnjën, të përbërë nga dy njësi: Federata e Bosnjë e Hercegovinës, e përbërë kryesisht nga myslimanë dhe kroatë boshnjake, dhe Republika Sprpsa. Presidenca treanëtarëshe e Bosnjës mbahet nga përfaqësues të këtyre tri grupeve kryesore etnike.

Të ashtuquajturat kompetenca të Bonit të vitit 1997 i japin gjithashtu kompetenca të konsiderueshme ligjbërëse zyrës së përfaqësuesit të lartë përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes. Ajo e ka autoritetin të marrë vendime ose të shkarkojë zyrtarë që minojnë ekuilibrin etnik të pasluftës dhe përpjekjet për pajtim.

Inzko, një diplomat austriak, e bëri mohimin e gjenocidit të dënueshëm me deri në pesë vjet burg në korrik. Ai përmendi një refuzim nga asambleja serbe e Bosnjës për t’i tërhequr dekoratat e dhëna tre kriminelëve të dënuar të luftës si pjesë e arsyetimit të tij.

Procesverbali zbulon se Várhelyi tha se ai besonte se kishte një rrugëdalje nga kriza aktuale dhe se ai kishte sanksionuar një seancë të posaçme të asamblesë së Republika Srpskas më 10 dhjetor, ku anëtarët mbështetën një rezolutë që mbështeste rimarrjen e pushteteve.

Kushti i tij, megjithatë, ishte që legjislacioni që kërkohej për t’i marrë pushtetet nga shteti në fushën e administrimit të taksave, gjyqësorit, inteligjencës dhe madje edhe ushtrisë kombëtare, në mënyrë që të krijonte një forcë serbe, duhet të shtyhej për gjashtë muaj për të lejuar kohë për negociata.

Várhelyi tha se përballja me ligjin e gjenocidit ishte jetike në mënyrë që Dodik ta njihte pasardhësin e Inzkos, Christian Schmidtin e Gjermanisë, i cili ka thënë se rajoni përballet me krizën më të madhe në një çerek shekulli.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment nga The Guardian.

Daçiqi e pranon se Serbia e propozoi “Ballkanin e Hapur”

Kryeparlamentari serb, Ivica Daçiq ka thënë se iniciativa e “Ballkanit të Hapur” ka ardhur si propozim i Serbisë. Kjo, sipas Daçiqit është edhe arsyeja pse disa vende po refuzojnë t’i bashkohen kësaj nisme, transmeton Gazeta Express.

“Kundërshtarët e saj janë më shumë kundërshtarë të Serbisë sesa vetë idesë, sepse i shqetëson fakti që shteti ynë e ka propozuar atë iniciativë”, tha Daçiq për Tanjug.

Ai tha se “Ballkani i Hapur” mund t’i shqetësojë vetëm “ata që janë kundër bashkëpunimit”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot dhe nesër do të qëndrojë në Tiranë, ku do të marrë pjesë në takimin e radhës me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në kuadër të iniciativcës së “Ballkanit të Hapur”.

Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i ka ftuar qytetarët të protestojnë sot kundër vizits së Vuçiqit në kryeqytetin shqiptar për t’i nënshkruar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, gjashtë marrëveshje.

Iniciativa e “Ballkanit të Hapur” vazhdon të kundërshtohet nga Kosova, e cila e sheh këtë nismë si vegël që Serbia dëshiron ta përdorë kundër Kosovës.

“Ballkanin e Hapur” deri tani nuk e kanë mbështetur publikisht as partitë opozitare në Parlamentin e Kosovës.

Bosnje, arrestohen 8 të dyshuar për vrasjen e rreth 100 boshnjakëve në Nevesinje

Sarajevë

Me urdhër të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës janë arrestuar 8 persona të dyshuar për krime kundër njerëzimit në zonën e Nevesinjës, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke vepruar në bazë të urdhrit të prokurorit të Departamentit Special për Krimet e Luftës, oficerët e policisë së SIPA-s (Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes) në disa qytete kanë arrestuar tetë të dyshuar.

Të dyshuarit e përmendur janë ish-komandantë dhe pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Sërpska dhe dyshohen për krime kundër popullatës boshnjake në zonën e Nevesinjës.

“Krimet kanë të bëjnë me vrasjen e rreth 100 boshnjakëve në Zijemlje, përfshirë dhjetëra gra, të moshuar si dhe një numër të madh fëmijësh, përfshirë fëmijë të moshës 15 ditë deri në 2-vjeç”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së BeH-së.

Në krimin e kryer janë vrarë pothuajse familje të tëra Ploskiq, Shipkoviq, Aliçiq, Alibashiq, Mahiniq, Brajeviq, Çopelj dhe viktima të tjera.

Eshtrat e 49 personave janë gjetur ndërsa eshtrat e 47 viktimave ende po kërkohen.

Prokuroria e BeH-së në kuadër të punës në këtë rast ka arritur bashkëpunim të mirë dhe intensiv me SIPA-n e BeH-së dhe OSA (Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë) e BeH-së.

Të dyshuarit brenda afatit ligjor do t’i dorëzohen prokurorit kompetent, i cili do t’i shqyrtojë dhe do të vendos për veprime të mëtutjeshme.

Serbia hapi një bllok kapitujsh në negociatat me BE-në

RFE/RL

Në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), Serbia hapi në Bruksel, më 14 dhjetor negociatat për një bllok kapitujsh.

Në konferencën ndërqeveritare është hapur blloku 4, që ka të bëj me politikën e transportit, energjisë, rrjeteve trans-evropiane, mbrojtjen e ambientit dhe ndryshimet klimatike.

Duke folur në emër të BE-së, Sekretari slloven i shtetit, Gasper Dovzhan, e cilësoi këtë hap si sukses të Presidencës sllovene, hap i cili do të ndikojë në dinamiken e procesit negociator.

Ai tha se megjithatë, përparimin, Serbia duhet të bëj më shumë në reformat e sistemit të drejtësisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe në proceset e brendshme të rasteve të krimeve të luftës.

Nga Serbia është kërkuar që të ketë rol konstruktiv edhe në dialogun me Kosovën dhe se kjo “do të përcaktojë edhe dinamiken e negociatave të anëtarësimit”.

Komisioneri i zgjerimit, Oliver Varhelyi hapjen e katër kapitujve në negociatat me Serbinë e quajti “sinjal të rëndësishëm jo vetëm për Serbinë por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Negociatat e anëtarësimit po përparojnë dhe BE-ja po i përgjigjet përparimit që bëjnë shtetet kandidate. Hapja e negociatave për këta kapituj, do të thotë se tash mund të fillojë puna e rëndësishme në këto fusha. Na pret punë shumë e madhe” tha Varhelyi.

Serbia në këtë konferencë është përfaqësuar nga Kryeministrja, Ana Bërnabiq. Ajo tha se vendi i saj pret së shpejti hapjen e kapitujve të tjerë. Ajo paralajmëroi investime të mëdha të Serbisë në fushën e ruajtjes së mjedisit, një prej temave të përfshira në kapitujt që u hapën më 14 dhjetor.

Me hapjen e këtyre kapitujve Serbia tash ka të hapur, 22 nga 35 kapituj në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Petkov: Sofja nuk ndryshon qëndrimin ndaj Shkupit

Kiril Petkov, i nominuari bullgar për kryeministër.

Isuf Kadriu

Bullgaria nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar i nominuari për kryeministër të Bullgarisë, Kiril Petkov më 11 dhjetor.

“Pozicioni bullgar mbetet ashtu siç është, por ne duam ta përmirësojmë. Nuk duam të vazhdojmë vetëm me deklarata nga të dy anët e kufirit, por duam të ulemi bashkë, ekipe nga sfera të ndryshme, të punojnë për fqinjësi të mirë. Por, në të njëjtën kohë ne do të mbrojmë interesat kombëtare bullgare”, tha Petkov pasi të dielën në Sofje ia dorëzoi peridentit, Rumen Radev listën me emrat e ministrave të kabinetit të ri qeveritar.

Partia e Petkovit “Vazhdojmë me ndryshimet”, e cila fitoi zgjedhjet e treta parlamentare më 14 nëntor, ka arritur të formojë koalicion me socialistët, populistët dhe partinë e qendrës së djathtë, “Bullgaria “Demokratike”.

Bullgaria, si shteti anëtar i BE-së, që nga nëntori i vitit 2020 ka bllokuar nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE), duke e kushtëzuar votën e saj me arritjen e marrëveshjes për çështjet kontestuese.

Sofja kërkon marrëveshje për identitetin, gjuhën dhe dallimet historike mes dy vendeve. Sofja insiston që Shkupi të pranojë se gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas, para vitit 1945, kanë pasur prejardhje bullgare.

Zyrtarët maqedonas presin që në samitin e radhës të BE-së, që pritet të mbahet këtë muaj, Sofja të heqë veton dhe të mundësojë mbajtjen e konferencës ndërqeveritare, BE-Maqedoni e Veriut.

Zëvendëskryeministri Artan Grubi të premten njoftoi për një nismë nga Franca për arritjen e një marrëveshje me Bullgarinë, por pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e saj. Por Sofja ka mohuar të ketë nismë të tillë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ndërkohë për mediat lokale ka komentuar edhe njoftimet mbi mundësinë që negociatat me BE-në t’i fillojë vetëm Shqipëria ndërsa Maqedonia e Veriut të presë deri në arritjen e marrëveshjes me Bullgarinë.

“Në vitin 2019 të dy vendet ishin në pozicione të kundërta, kur ne duhej të lëviznim ndërsa Shqipëria nuk kishte mbështetjen e disa shteteve anëtare dhe më pas pyetja ishte nëse do të ndahej Maqedonia e Veriut nga Shqipëria. Konsideroj se është në interesin e të dyja vendeve që të qëndrojnë së bashku, sepse krijojnë një energji të forte duke i dhënë dinamikë rajonit, një komponent rajonal tërë këtij procesi që ky nuk është vetëm një proces demokratik, por edhe një proces politik”, ka deklaruar Osmani.

Kandiq reagon pas deklaratës së Vulinit: Masakra e Reçakut ishte e planifikuar, kjo është e vërtetuar plotësisht

Ish-drejtoresha e Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, thotë se ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, sërish jep një pasqyrë të pasaktë të Reçakut dhe asaj që është vërtetuar për atë krim.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për strategjinë e Serbisë për të prodhuar një “histori të re”.

“Ajo, për të cilën flet ministri Vullin, është detyrë e tij politike dhe, përderisa është në Qeveri dhe përderisa e ka për detyrë të interpretojë atë që ka ndodhur në të kaluarën, ne nuk kemi rrugëdalje nga kjo klimë që ka çimentuar nacionalizmin ekstremist etnik”, thotë Kandiq.

Kandiq thekson se hulumtimet e Tribunalit të Hagës dhe organizatave ndërkombëtare, kanë konstatuar se këto pretendime nuk janë të vërteta.

“Human Rights Ëatch ka biseduar me së paku 15 dëshmitarë dhe të gjeturat janë mjaft precize. Policia e dinte se në fshat kishte edhe civilë dhe aksioni u zbatua krejtësisht në mënyrë joselektive. Nuk është konstatim i saktë se civilët janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, por është shtënë edhe në shtëpitë ku ata ishin strehuar”, thekson Kandiq.

Sipas saj, Fondi për të Drejtën Humanitare ka biseduar me dëshmitarët dhe gjetjet e këtij fondi tregojnë për pasaktësinë e pretendimit se të gjitha viktimat në Reçak kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Asnjë e dhënë, as nga Human Rights Ëatch dhe as nga Fondi për të Drejtën Humanitare, se aksioni në Reçak ishte planifikuar, nuk është vënë ndonjëherë në pikëpyetje”, thotë Kandiq.

Masakra e Reçakut ka qenë edhe pjesë e aktakuzës së ngritur nga Gjykata e Hagës kundër presidentit të atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, dhe disa zyrtarëve të tjerë serbë.

Megjithatë, gjyqi është ndërprerë pas vdekjes së Millosheviqit dhe asnjë nga të akuzuarit e tjerë nuk janë dënuar për krimet e kryera në Reçak.

Manovrimi i vështirë i Turqisë mes krizës Rusi-Ukrainë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka mundur të ruajë deri tani marrëdhënie të mira me homologun e tij ukrainas dhe atë rus. Por, siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, tashmë analistët paralajmërojnë se tensionet në rritje mes Rusisë dhe Ukrainës mund t’i japin fund këtij ekuilibri delikat.

Ndërsa rriten tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë, Turqia e gjen veten në mes.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me homologët e tij ukrainas dhe rus.

“Turqia ka krijuar marrëdhënie të ngushta me Rusinë në rajone të ndryshme të Turqisë. Por që nga pavarësia e saj, Ukraina është bërë një nga aleatët më të ngushtë të Turqisë. Nëse do të ketë konflikt, Turqia do ta ketë shumë të vështirë të mos pozicionohet”, i tha Zërit të Amerikës Mustafa Aydin, profesor në Universitetin Kadir Has.

Duke përmendur marrëdhëniet e mira, zoti Erdogan ka ofruar të ndërmjetësojë ndërmjet Kievit dhe Moskës, një lëvizje kjo e mirëpritur nga Kievi. Megjithatë, një zëdhënëse e ministrisë së jashtme ruse e refuzoi ofertën.

Disa analistë thonë se Moska nuk do t’i dëmtonte marrëdhëniet e saj të ngushta me Ankaranë. Ata thonë se Rusia e vlerëson këtë marrëdhënie, në veçanti pasi Turqia është një vend anëtar i NATO-s.

“Për Rusinë është prioritet të thellojë ndasitë në komunitetin e NATO-s. Turqia është shumë e rëndësishme për Rusinë dhe duke thelluar kontaktet me Ankaranë, Rusia thellon përçarjet brenda NATO-s”, i tha Zërit të Amerikës Zaur Gasimov, profesor i Universitetit të Bonit.

Por durimi i Moskës me Ankaranë mund të jetë duke u pakësuar.

Vendimi rishtazi i Turqisë për të lejuar një luftanije amerikane të kalojë përmes ngushticës së Bosforit për të marrë pjesë në një stërvitje detare NATO – Ukrainë në muajin prill u kritikua menjëherë nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Një luftanije amerikane duke kaluar përmes ngushticës së Bosforit.

Një luftanije amerikane duke kaluar përmes ngushticës së Bosforit.

Moska kritikoi gjithashtu Turqinë për shitjet e vazhdueshme të dronëve ushtarakë për Ukrainën, që Kievi i përdori rishtazi ndaj forcave separatiste të mbështetura nga Rusia.

“Rusia do të donte ta shikonte Turqinë të shkëputej nga NATO në këtë konflikt. Prandaj, ekzistenca e mbështetjes turke për Ukrainën do të ishte një shqetësim kryesor për vendimmarrësit rusë”, thotë Arda Mevlutoglu, analist për mbrojtjen.

Turqia mbështetet së tepërmi tek energjia ruse dhe bashkëpunimi rus në zonat e nxehta, përfshirë Sirinë. Ankaraja është pra e ndërgjegjshme se nëse mbështet partnerët e NATO-s, Moska mund t’i vendosë një çmim të lartë.

Të shtunën protestë dhe bllokadë në Beograd, Jovanoviq thotë se s’ndalen deri në arritjen e qëllimit final

Aleksander Jovanovic, një nga organizatorët, ka thënë se pavarësisht tërheqjes së Aleksander Vuçiqit për ligjin për shpronësim, protestat në Beograd nuk do të ndalen.

Ai për “Nova.rs” ka thënë se do të ketë protesta dhe bllokadë të shtunën në Beograd, dhe thotë se nuk do të ndalen deri në arritjen e qëllimit final që është dëbimi i kompanisë “Rio Tinto” nga Serbia.

Jovanoviq ka thënë se nuk ishte imagjinuar ndonjëherë që Vuçiq do të dorëzohej, meqë presidenti i Serbisë po bënte përpjekje për të qetësuar dhe për të “vrarë” energjinë e protestuesve që kishin dalë në rrugë kundër “Rio Tinto”.

I pyetur nëse është fitore vendimi i presidentit të Serbisë për tërheqje nga ligji për shpronësim, Jovanoviq ka thënë se është një fitore por jo një arsye për të festuar.

“Është një fitore, por ato vendime janë larg nga një arsye për të festuar. Kërkesa jonë themelore është dëbimi i Rio Tintos nga Serbia, kështu që u mblodhëm dhe kjo nuk u plotësua”, ka thënë Jovanoviq./Express/

Serbia bën film për Reçakun, Vulin shkon në xhirime, e quan falsifikim dhe rrenë masakrën ndaj shqiptarëve

Ministria e Brendshme e Serbisë në bashkëpunim me Radio Televizionin e Serbisë(RTS) kanë filluar xhirimin e një filmi dokumentar për Masakrën e Reçakut. Ministri i Brendshëm serb, Aleksander Vulin ka vizituar ekipin filmik dhe e ka quajtur “falsifikim” dhe “rrenë” masakrën e Reçakut.

Vulin që ka shërbyer në partinë JUL të Mirjana Markoviqit, gruas së kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq, ka thënë se detyrë e gjeneratës së re është “t’ia shfaqë botës se Reçaku ishte gënjeshtër dhe se gjaku i fëmijëve serbë bie mbi ata që e kanë zbuluar këtë gënjeshtër”.

Ministri i brendshëm serb që njihet për gjuhën raciste ndaj shqiptarëve e ka quajtur “agresion” intervenimin ushtarak dhe humanitar të NATO-s në Kosovë pikërisht për shkak të Masakrës së Reçakut e cila ishte kishte alarmuar komunitetin ndërkombëtar pas dëshmive të misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë ne nuk ishim mjaftueshëm të mençur për t’ia shfaqur botës se ishte një gënjeshtër e tmerrshme. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregohet botës se ata na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë atyre gënjeshtrave”, ka thwnw Vulin, shkruan Tanjug, transmeton Gazeta Express.

Për më tepër ministri i Vuçiqit përgëzoi autoren e filmit “Dosja e Kosovës”,  Sladjana Zariç “se si po e tregon të vërtetën për popullin serb dhe të vërtetën për Reçakun”.

“Reçaku është një gënjeshtër e madhe, një falsifikim i tmersshëm, një ofendim për gjithë njerëzimin dhe tek të gjithë ata që e kanë treguar këtë gënjeshtër, por Reçaku është një mundësi për të treguar se si padrejtësisht ne jemi shkatërruar, vrarë dhe sa jemi dënuar për mëkate të popujve tjerë”, tha Vulin.

Në orët e hershme të mëngjesit më 15 janar të vitit 1999 Reçaku ishte rrethuar nga forcat e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të cilët vranë e masakruan 45 banorë të këtij fshati.

Janjiq ia tregon Borellit një detaj për Asociacionin për të cilin thotë se Lajçak s’e ka vënë në dijeni

Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, roli i BE-së është mbështetës dhe lehtësues, por assesi imponues apo i një arbitri.

Sipas tij, që nga viti 2014, kur ndërmjetësuesi i parë BE-së në këtë dialog, Robert Cooper nuk e kishte më këtë rol, BE-ja e kishte shuar edhe Zyrën për zbatim të marrëveshjeve. Madje sipas tij, tashmë nuk ka as raportime, të cilat ndodhnin çdo gjashtë muaj ku mund të shiheshin faktet dhe argumentet lidhur përparimin ose vështirësitë e procesit.

Insistimin e Borrellit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Janjiq e sheh si përzierje në diçka që nuk i takon shefit të diplomacisë evropiane.

Madje Janjiq ka zbuluar edhe një detaj rreth Asociacionit, duke thënë se Borell me siguri nuk e di që një grup punues i përbërë nga katër përfaqësues të katër komunave me shumicë serbe duhet të hartojë statutin e Asocaicionit dhe se një statut i tillë nuk i është dorëzuar asnjëherë BE-së.

“Nuk është puna e tij që të vlerësojë se a është kërkesa e Beogradit e drejtë. Ai me siguri që nuk e di që grupi punues që duhet ta hartojë statutin (e Asociacionit), i cili grup përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave me shumicë serbe, kurrë nuk ia ka dorëzuar atë statut BE-së. Ky është një arsyetim i mirë për palën e Kosovës. Pra, ai (Borrell) është jokompetent për atë çështje, dhe në rregull, sepse nuk duhet të dijë gjithçka. Por, problemi është që ai që para tij e udhëheq dialogun (i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak) nuk e ‘ndriçon’ udhëheqësin e tij. Problemi i tyre është se ata nuk kanë pasqyrat e vërteta dhe as që iu intereson zhvillimi i dialogut”, thotë Janjiq.

Serbia rifillon blerjen e armëve nga Rusia

Sistemi i mbrojtjes raketore Pancir, që është dërguar nga Rusia në Serbi.

Milla Gjurgjeviq

Dy vjet pasi u paralajmërua se Serbia do të ndërpresë furnizimin me armë, zyrtarët janë duke kontraktuar dërgesa të reja nga Rusia.

Këto marrëveshje vijnë në kohën kur të gjithë sytë janë të drejtuar nga Moska dhe tensionet në kufi me Ukrainën, por edhe pas disa paralajmërimeve të Perëndimit për bashkëpunimin ushtarak të Serbisë me Rusinë.

“Furnizimi në fushën e mbrojtjes është vendim kombëtar” – kështu i komentuan në NATO paralajmërimet e Serbisë për furnizim me armë ruse.

Megjithatë, NATO bëri thirrje për ulje të tensioneve.

“Njëkohësisht, është me rëndësi që të gjitha palët të kontribuojnë në uljen e tensioneve në rajon dhe të kultivojnë paqe e stabilitet”, thuhet në deklaratën me shkrim të NATO-s, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Aty theksohet se Serbia dhe NATO-ja janë partnere të afërta dhe se këtë vit u shënua 15-vjetori i anëtarësimit të Serbisë në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Serbia, siç kanë theksuar disa herë zyrtarët, është shtet ushtarakisht neutral, që nuk pretendon të anëtarësohet në NATO. Krahas bashkëpunimit ushtarak me Rusinë, Serbia bashkëpunon edhe me NATO-n përmes programit të Partneritetit për Paqe.

Krahas Kornetit edhe Panciri

Pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 25 nëntor se nga Rusia në Serbi do të arrijnë së shpejti pajisje të reja ushtarake.

“Fjala është për Kornet, respektivisht pengesa të lëshuara për Kornet dhe raketa Kornet për mjete anti-tank. Jashtëzakonisht të rëndësishme për terrenin tonë”, deklaroi Vuçiq.

Më shumë detaje për këto furnizime, shtatë ditë pas takimit të Vuçiqit me Putinin, dha ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, pas takimit me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey Shoygu.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se është rënë dakord për blerjen e sistemeve të reja të mbrojtjes kundërajrore (PVO) “Pancir S1” dhe raketave anti-tank “Kornet”.

Këto informata, megjithatë, nuk janë publikuar në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, lidhur me takimin Vulin-Shoygu.

Po në të njëjtën ditë, Ambasada e Ukrainës në Beograd njoftoi mediat për rritjen e pranisë ushtarake ruse në kufirin e Ukrainës.

Ndonëse në njoftim nuk përmendeshin furnizimet e reja të Serbisë me armatim rus, për të cilat njoftuan zyrtarët serbë, Ambasada e Ukrainës porositi qytetarët e Serbisë:

“Mos dëgjoni çfarë thotë Kremlini, shikoni çfarë bënë Kremlini”.

Në njoftim po ashtu përkujtohej aneksimi i Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014. Për këtë veprim, Rusia ende ndodhet nën sanksionet e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së.

Shormaz: Nuk na duhet bashkëpunimi me Rusinë për mbrojtje

Dragan Shormaz, deputet nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) me në krye Aleksandar Vuçiqin, tha për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk ka nevojë të bashkëpunojë me Rusinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, marrë parasysh se përcaktimi i saj strategjik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Duhet ta përgatisim shtetin për këtë anëtarësim. Andaj, nuk na duhet bashkëpunimi strategjik me Rusinë”, tha Shormaz, i cili njëherësh është edhe shef i delegacionit të Parlamentit serb në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ai tha se furnizimi me armatim nga Rusia dhe Kina, bazuar në vlerë, është dukshëm më i vogël në raport me furnizimet nga shtetet anëtare të NATO-s.

“Kjo është imtësi, nuk është ndonjë furnizim i madh dhe nëse e shohim çfarë ndodhi në këto 20 vjetët e fundit, por edhe në një apo dy vjetët e fundit, del se me pajisje dhe gjithçka tjetër që i duhet Ushtrisë së Serbisë, furnizohemi më shumë nga SHBA-ja dhe shtetet anëtare të NATO-së, sesa nga Rusia dhe Kina”, tha Shormaz.

Ai pranoi se qëndrime të këtilla në partinë e tij kanë pak anëtarë. Në pyetjen nëse ka mirëkuptim brenda partisë, nga e cila vijnë ministra dhe zyrtarë që angazhohen për rikthim të politikës së jashtme serbe kah Rusia, Shormaz u përgjigj:

“Derisa askush nuk më kritikon, do të thotë se ka njëfarë pajtimi, nëse jo përkrahje”.

Shuma rekorde që ndahen për mbrojtje

Paralajmërimi për blerjen e armatimit të ri nga Rusia u bë dy vjet pasi që vetë presidenti serb tha se Serbia nuk do të furnizohet më me armatim.

“Do të ketë reforma shtesë të ushtrisë sonë. Do ta bëjmë akoma më mobile dhe më të shpejtë”, deklaroi Vuçiq më 3 dhjetor të vitit 2019, në prag të udhëtimit në Rusi për një takim me Putinin.

Mjetet e Serbisë për blerjen e armatimit të ri, ndërkohë, janë shtuar. Sipas të dhënave nga Rrjeti i Ballkanit për Siguri – portal i specializuar për mbrojtje dhe siguri – brenda këtij viti, “buxheti serb për mbrojtje, për herë të parë, tejkaloi shifrën prej 1 miliard eurosh”.

Në tre vjetët e kaluar, Ushtria e Serbisë bleu nga Rusia pesë helikopterë Mi-17V-5, katër helikopterë luftarakë Mi-35M dhe sistemin raketor PVO “Pancir S1”.

Në po kaq vite, nga Evropa, nga kompania “Airbus” u blenë pesë helikopterë H-145M.

Gjatë korrikut të vitit 2020, Serbia, mes tjerash, bleu nga Kina gjashtë fluturake pa pilotë CH-92A e më pas edhe sistemin mbrojtës raketor FK-3.

Çfarë po blen Serbia?

Sistemi rus raketor i artilerisë “Pancir S1” është i destinuar për mbrojtjen e objekteve nga operacionet e zbulimit dhe nga veprimet prej hapësirës ajrore.

Në vitin 2019, Serbia bleu një bateri nga Rusia, e cila përbëhet nga gjashtë sisteme. Së voni, një e tillë u përdor në luftën në Siri.

“Panciri” arriti në Serbi vitin e kaluar, në disa pjesë, që u kompletuan në mars.

Për herë të parë në territorin e Serbisë, “Pancir S1” hyri në tetor të vitit 2019. Krahas sistemit raketor rus S-400, ai u prezantua gjatë një manovre të përbashkët ushtarake ruso-serbe.

Edhe Brukseli, edhe Uashingtoni reaguan ndaj furnizimit të Serbisë me sistemin raketor rus.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, më 25 shkurt, 2020, zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se është e nevojshme që Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën e bllokut evropian.

Në po të njëjtën ditë, Departamenti amerikan i Shtetit, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, u bëri thirrje aleatëve dhe partnerëve “që të heqin dorë nga transaksionet me Rusinë, që do të mund të çonin në sanksione, në bazë të Ligjit për ballafaqim me kundërshtarët amerikanë nëpërmes sanksioneve (CAATSA)”.

Se sa i kushtoi Serbisë “Panciri” është një informatë, të cilën autoritetet po e mbajnë në fshehtësi, njëjtë sikurse shumicën e armatimit që Serbia e siguron nga Rusia.

Po ashtu nuk dihet se me çfarë çmimi Serbia do t’i blejë nga Rusia raketat “Kornet”.

A është ushtria prioritet?

Redaktori i Rrjetit të Ballkanit për Siguri, Aleksandar Radiq, tha për Radion Evropa e Lirë se kur blihet armatimi, është e pamundur të shmanget konteksti politik.

“Dyshoj që këtu ekziston atmosfera e atillë që ushtria është prioritet i të gjitha prioriteteve dhe se vërtet ushtria e nevojat e saj janë motivi i vetëm, sepse deri më tani furnizimi me mjete ushtarake ishte i motivuar politikisht”, tha Radiq.

Sipas tij, vlera e furnizimit me mjete ushtarake nga partnerët perëndimorë i tejkalon ato me Rusinë dhe Serbia, në këtë aspekt, po tenton që të bëjë njëfarë barazie.

Pikërisht për shkak të bashkëpunimit me Rusinë, Serbia është në cak të kritikave nga Perëndimi, sepse si shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ajo nuk e ka harmonizuar ende politikën e saj të jashtme me atë evropiane.

Serbia refuzon që t’u bashkohet sanksioneve që BE-ja i ka vendosur ndaj Rusisë, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë, në vitin 2014.

Për Dragomir Angjellkoviqin, analist politik nga Beogradi, rinovimi i marrëveshjes për furnizim me armë nga Rusia është logjik, sepse, sipas tij, “Serbia ka armatim rus në nivel dominues, respektivisht armatim të dikurshëm sovjetik”.

“Sipas mendimit tim, Serbia duhet të blejë mjete ushtarake nga shtetet që janë aleatë tonë në mbrojtjen e integritetit territorial, nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Serbinë sa i përket çështjes së mbrojtjes së Kosovës”, tha Angjellkoviq.

Çështja e Kosovës

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Rusia dhe Kina, të cilat janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

I pyetur se si e komenton faktin se Serbia anon kah anëtarësimi në BE, derisa njëkohësisht thellon bashkëpunimin me Rusinë në fushën e mbrojtjes dhe vazhdon të blejë armë dhe mjete ushtarake nga Rusia, Angjellkoviq tha se Serbia nuk ka arsye që të ngarkohet me raportet mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë.

“Do të ishte cinike që dikush që e njohu pavarësinë e Kosovës, të presë nga ne që të distancohemi nga Rusia, e cila po na ndihmon lidhur me Kosovën”, tha ai.

Rusia, aktualisht, është nën vëzhgim të vazhdueshëm të Uashingtonit dhe NATO-s, për shkak të tensioneve në raportet Moskë-Kiev.

Derisa Perëndimi e akuzon Rusinë se po përgatit pushtim të ri të Ukrainës, Moska e mohon këtë.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe figura të larta të ushtrisë ukrainase sugjerojnë se rreth 92 mijë ushtarë rusë tashmë janë vendosur në veri dhe lindje të Ukrainës dhe në Krime.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë në konferencën Reuters Next më 1 dhjetor, paralajmëroi Rusinë që të mos përdorë dhunë kundër Ukrainës dhe shtoi se Moska e di që do të paguajë çmim të lartë përmes sanksioneve dhe hapave të tjerë të Perëndimit, nëse vjen deri te çfarëdo agresioni.

Përgatiti: Teuta Arifaj

Republika Sërpska diskuton për Kushtetutën e re

RFE/RL

Parlamenti i Republikës Sërpska (RS), më 10 dhjetor do të diskutojë rreth deklaratës me të cilën kërkon nga qeveria të përgatisë Kushtetutën e re të këtij entiteti në Bosnje e Hercegovinë (BeH). Kushtetuta e re parasheh bartjen e disa prej përgjegjësive të shtetit të BeH-së ndaj RS-së, si entitet.

Bartjen e disa prej përgjegjësive të cilat, sipas Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Dejtonit i takojnë Bosnjës ndaj Republikës Sërpska, kohëve të fundit e kishte paralajmëruar anëtari i Presidencës së BeH nga Republika Sërpska, Millorad Dodik, pasi që në Bosnje me ligj u ndalua mohimi i gjenocidit.

Politikanët nga Republika Sërpska kundërshtuan këtë ligj, të cilin e kishte vendosur ish-Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko dhe filluan bllokadën e punës në institucionet shtetërore.

Në Deklaratën për parimet kushtetuese për të cilat do të diskutojë më 10 dhjetor Parlamenti i RS-së, kërkohet nga qeveria që të përgatisë tekstin “në të cilin do të konfirmohen të gjitha përgjegjësitë e Republikës Sërpska, përveç atyre të cilat me Kushtetutë i takojnë Bosnje e Hercegovinës”.

Në rend të ditës së seancës së veçantë janë informatat e posaçme rreth bartjes së përgjegjësive në fushën e institucioneve të drejtësisë së BeH-së, por edhe të mbrojtjes apo sigurisë.

Në dokument saktësohet që “të gjitha nenet e përcaktuara nga Përfaqësuesi i Lartë janë jokushtetuese”.

Parlamenti i RS-së, kah fundi i korrikut miratoi ligjin me të cilin u vendos që vendimi i ish-Përfaqësuesit të Lartë, Inzko rreth mohimit të gjenocidit të mos zbatohet.

Në Deklaratën tashmë të paraqitur në Parlament, përmendet se me Kushtetutën e re qyteti i Banja Llukës do të duhej të bëhej qyteti kryesor ndërkaq qyteti i Palles, kryeqytet.

Çfarë porositi Dodiku më herët?

Kërkesën për mbajtjen e seancës së veçantë në të cilën do të diskutohej rreth bartjes së përgjegjësive, më 8 nëntor e paralajmëroi anëtari i Presidencës së BeH nga RS, Millorad Dodik. Ai e bëri këtë paralajmërim pas takimit me partitë e koalicionit udhëheqës në Banjallukë dhe theksoi që pas shqyrtimit të informatave për bartjen e përgjegjësive do të përgatitet edhe plani i aksionit për kthimin e tyre në nivelin e RS-së.

Takimi i partive, u mbajt pas takimit të Dodikut me Gabriel Escobarin, zëvendës-ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit dhe të dërguarit të posaçëm për Ballkanin perëndimor në Sarajevë më 8 nëntor.

Pas bisedës me Dodikun, Escobar deklaroi që “është e hapur mundësia që të tërhiqen vendimet që solli dhe paralajmëroi Dodiku”, e të cilat kanë të bëjnë me bartjen e përgjegjësive nga niveli i BeH-së në nivelin e entitetit të RS-së.

Por, Dodik pohonte që takimi rrodhi ndryshe dhe se e njoftoi diplomatin amerikan se rreth bartjes së përgjegjësive debaton Parlamenti i entitetit.

Edhe me t’u kthyer nga Rusia më 4 dhjetor, Dodik deklaroi se do të vazhdojë me procesin e “bartjes së përgjegjësive”.

Më 20 tetor, Parlamenti i RS-së miratoi ligjin për ilaçet dhe mjetet medicinale që parasheh themelimin e Agjencisë së entitetit për ilaçe, e cila që nga viti 2009 vepron në nivel shtetëror.

Themelimi i agjencisë së këtillë nuk është në përputhje me Kushtetutën e BeH-së, pjesë e Marrëveshjes së Dejtonit nga viti 1995, me të cilin është definuar që entitetet nuk mund të marrin përgjegjësi të shtetit ose përgjegjësitë që janë në përputhje me Kushtetutë të bartura në nivel të shtetit.

Zhelka Cvijanoviq, presidente e RS-së, në tetor solli vendimin sipas të cilit për këtë entitet nuk vlejnë ndryshimet e Kodit Penal të BeH-së, me të cilin dënohet mohimi i gjenocidit dhe krimeve të tjera.

Në ndërkohë, Dodik paralajmëroi edhe bartjen e përgjegjësive kur bëhet fjalë për Forcat e Armatosura të BeH-së, Gjykatës Supreme dhe këshillin prokuroria si dhe Administratën për tatim të BeH-së.

Planet e Dodikut për “ligjin e ri për Ushtrinë e RS-së”

Më 7 dhjetor, Dodik paralajmëroi se tashmë është përpiluar edhe “ligji i ri për Ushtrinë e Republikës Sërpska dhe ligji për demilitarizim” nëse nuk do të ketë gatishmëri që të pranohet propozimi për “përgjysmimin e Forcave të Armatosura të BeH-së”.

“Nga Forcat e Armatosura të BeH-së nuk kemi asgjë, serbët atje nuk shkojnë, mungojnë 40 për qind e kroatëve e myslimanët duan që të plotësojnë kuotat. Buxheti i Bosnje e Hercegovinës ndahet më së shumti për Forcat e Armatosura dhe është rreth 187.9378 euro (370 milionë marka konvertibile) e që thënë sinqerisht nuk është kurrfarë ushtrie por vetëm shpenzues i madh”, tha Dodik gjatë qëndrimit në Beograd.

Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata e BeH nuk munden individualisht të bartin përgjegjësitë të cilat në periudhën e shkuar u bartën ndaj shtetit.

Vdiq në autoburg – zbulohet letra e shqiptarit, ja çfarë i kërkonte drejtorit të burgut në Larisa

“Këtë vit mbarova 2 vite gjimnaz dhe duhet të kthehem në qeli dhe përditshmëria ime është shumë e mërzitshme për trurin tim”. Kjo është letra që ka shkruar Adem Rusi, i cili sipas autoriteteve vrau veten në furgonin e burgut.

Letra në fjalë është shkruar nga i riu në vitin 2017, ku i kërkonte drejtorit të burgut në Larisa, ku ai ishte në atë kohë, që të vazhdonte shkollën “Shkolla e një mundësie të dytë”.

Kujtojmë se letra në fjalë në atë kohë bëri xhiro në mediat greke, të cilat raportuan kërkesën e të riut, i cili kërkonte që të arsimohej. Mediat greke raportuan se shqiptari i kishte dhënë fund jetës duke u vetëvarur me lidhësen e këpucëve në furgonin e policisë së burgut.

Nga ana tjetër vëllai i viktimës, Shkëlqim Rusi deklaroi sot për mediat vendase se Ademi nuk ishte vetëvrarë, por akuzoi gardianët e burgut për vrasje.

Protesta në mbarë Serbinë, kundër planeve për një minierë litiumi

Marrë nga Associated Press

Mijëra protestues në Beograd dhe qytete të tjera në Serbi, bllokuan rrugët kryesore dhe urat të shtunën, për të kundërshtuar hapjen e planifikuar të një miniere litiumi, me gjithë paralajmërimet e policisë dhe një fushate frikësimi të autoriteteve kundër demonstruesve.

Protestuesit ndaluan trafikun në autostradën kryesore që kalon nëpër kryeqytetin serb. Në qytetin e dytë më të madh të vendit ballkanik, në Nish, rruga kryesore në qendër të qytetit u bllokua, siç u bllokua edhe një urë mbi lumin Danub, në qytetin verior të Novi Sadit.

Në këtë qytet, tifozë huliganë të futbollit hodhën gurë dhe shishe mbi protestuesit, të cilët u përgjigjën duke i ndjekur ata. Një huligan është rrahur rëndë. Në Beograd, persona të maskuar hodhën fishekzjarrë mbi protestuesit.

Policë në uniformë nuk ishin të dukshëm gjatë protestave dy orëshe, të cilat janë demonstratat më masive kundër qeverisë populiste në Serbi në shumë vite.

Kjo ishte protesta e dytë e tillë mbarëkombëtare e organizuar nga grupet për mbrojtjen e mjedisit mes pakënaqësisë në rritje të publikut me sundimin autokratik të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. Të shtunën e kaluar, protestuesit u përleshën me policinë dhe në një qytet persona të maskuar e të paidentifikuar i sulmuan me shkopinj dhe çekiç.

Grupet për mbrojtjen e mjedisit kanë kritikuar qeverinë populiste të presidentit Vuçiç, se nuk po e lufton mjaftueshëm ndotjen e përhapur në vendin ballkanik. Ata kundërshtojnë veçanërisht dy ligje të miratuara nga parlamenti, që ata i shohin si hedhje të themeleve për një minierë të litiumit nga kompania Rio Tinto në Serbinë perëndimore.

Në një veprim sfidues, presidenti Vuçiç injoroi të shtunën protestat dhe qëndroi në zonën ku kompania ndërkombëtare planifikon të fillojë gërmimet.

Presidenti Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë serbë, i kanë denoncuar protestat dhe pretendojnë se ato financohen nga perëndimi për të destabilizuar vendin dhe për të sjellë opozitën në pushtet.

Shumë protestues u ankuan se oficerët e policisë u shkuan në shtëpi dhe i paralajmëruan se mund të përballeshin me pasoja ligjore dhe gjoba nëse merrnin pjesë në protesta. Veprimtarja Danijela Vujoviç, nga qyteti jugor i Nishit, tha se policia shkoi në shtëpinë e saj në mëngjes, për ta paralajmëruar se protestat paraqesin një “vepër kriminale”.

Policia përsëriti të shtunën paralajmërimin e saj se protestat janë të paligjshme dhe se organizatorët do të duhet të bartin të gjitha pasojat e mundshme. Policia po ashtu publikoi një numër të posaçëm telefoni dhe një adresë elektronike për këdo që donte të raportonte “dhunën e shkaktuar nga bllokadat”. VOA

Dodik takohet me Putinin, përmendet mundësia e dërgimit të Forcave Ajrore ruse në Bosnje

Anëtari i presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Milorad Dodiku është pritur në një takim nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Media boshnjake klix.ba shkruar se Dodik është duke kërkuar mbështetje nga Rusia për veprime të mëtutjeshme me qëllim kollapsimin e shtetit boshnjak përmes kërkesave për tranfer të kompetencave për “Republikën Serbe”, transmeton Gazeta Express.

Mediumi rus “Pravda” siç citon klix.ba, shkruan se Dodik ka arritur në Moskë në kulmin e konfliktit me Perëndimin, i cili nuk përjashton sanksionit ndaj Dodikut shkak i veprimeve të tij anti-shtetërore.

Ky mediun rikutjon se Dodik mbështetet në Rusinë dhe Kinën dhe se ai ka thënë tashmë që nuk i intereson për këcënimet për sanksione nga Perëndimi.

Tutje ky medium rus përmend edhe opsionin e ndihmës ruse për Republikën Serbe, dhe rikujton se Rusia mund të dërgojë forca ajrore në Bosnje e Hercegovinë sikur që kanë bërë në vitet e 90-ta, si kontigjent paqeruajtës ndërkombëtar. Ato forca ushtarake ruse ishin transferuar në Prishtinë në vitin 1999.

Lugina e Preshevës: Ragmi Mustafa: Serbia na e ndalon edhe flamurin, synon të na ndajë nga shqiptarët e tjerë

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, në një prononcim për emisionin A Show në Syri Tv të moderatorit Adi Krasta, foli për faktin sesi e priti Luginën e Preshevës ky 28 Nëntor.

Mustafa thekson se Serbia ka synuar dhe vazhdon që të synojë që të përçajë shqiptarët.

Ai shton se shteti serb është i vetmi vend në ish-Jugosllavi, që ndalon edhe flamurin shqiptar të valëvitet në Luginë.

“Serbia ka synuar përherë që të na ndajë nga shqiptarët e tjerë. Shteti serb është i vetmi vend në ish-Jugosllavi që ndalon flamurin.

E nga ana tjetër kërkon që flamuri serb të jetë në Kosovë dhe në Bosnjë, por ne i themi se ne jemi shqiptarë e autoktonë. Serbia mund të ndryshojë ligjet, por ne flamurin tonë kombëtar nuk e ndryshojmë dot”, deklaroi Mustafa.

Gjendet një peshore 1.600-vjeçare në rajonin e Detit të Zi

Karabük

Arkeologët turq kanë zbuluar një peshore çeliku të vjetër 1.600 vjet gjatë gërmimeve në një qytet antik në afërsi të Detit të Zi.

Qyteti Hadrianopolis në provincën moderne Karabük besohet se është përdorur si një vendbanim në periudhën e vonshme helenistike, romake, si dhe në periudhën e hershme bizantine.

Arkeologu i Universitetit të Karabük-ut, Ersin Çelikbaş, i cili mbikëqyr gërmimet në këtë lokalitet, për Anadolu Agency (AA) tha se gërmimet e sivjetme janë fokusuar në zbulimin e një strukture në formë të katrorit.

Peshorja e çelikut, e përdorur si kundërpeshë gjatë baraspeshimit, u zbulua në strukturën katrore, e cila gjatë gërmimeve u zbulua 50 metra në jug të një kishe të lashtë.

Çelikbaş tha se gjatë gërmimeve gjithashtu u zbuluan edhe maje të shigjetave dhe maska.

Ai tha se peshorja është në formë disku, ndërsa në mbishkrimin në të thuhet: “Theodoros, zyrtari përgjegjës i thesarit perandorak”, një mbishkrim që u tregon shkencëtarëve shumëçka për objektin e gjetur.

“Përgjegjës i thesarit perandorak”

Sipas arkeologut Çelikbaş, të qënit “përgjegjës i thesarit perandorak” nënkupton qendrën e Perandorisë Bizantine, respektivisht Stambollin, të njohur më parë si Kostandinopojë, para se qyteti të merrej nga osmanët në vitin 1453.

“Nga peshorja që kemi, mund të themi se kishte një rrjet të rëndësishëm tregtar në Hadrianopolis”, tha ai, duke shtuar: “Këto janë të dhëna të rëndësishme që vërtetojnë se këtu ishin furnizuar elemente tregtare nga kryeqyteti i perandorisë. Peshorja që ne kemi daton nga shekulli i katër i Erës Sonë, që nënkupton 1.600 vjet më parë”.

Gërmimet në Hadrianopolis gjatë vitit të fundit kanë zbuluar struktura të ndryshme, siç janë: Dy banja, kisha, një strukturë mbrojtëse, varre, një amfiteatër, një strukturë me hark dhe kube, një kamare monumentale e kultit, mure të qytetit, pallate, si dhe ndërtesa tjera monumentale.

Qyteti antik është i famshëm për mozaikët në dyshemetë e kishave, ku janë shfaqur lumenjtë biblikë: Pison; Gihon; Tigris; dhe Eufrati; si dhe shumë kafshë, siç janë kuajt, elefantët, panterat, drerët, por edhe krijesa legjendare grifin, me krye të shqiponjës dhe trup të luanit.

Çelikbaş, thotë se çdo objekt i luajtshëm që gjendet në qytetin ku bëhen gërmimet dërgohet në muzetë në provincat përreth, ndërsa ata edhe vendosen në katalogë dhe ruhen.

VIDEO – Ambasadori kroat në Tiranë: Ballkani i hapur legjitimon ‘botën serbe’

Kryetar bashkie gjatë luftës në moshën 36 vjeçare gjatë viteve 1990, politikan i bërë deputet, shkrimtar dhe diplomat i rangut të lartë e ambasador në Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri në shekullin e 20-të. Shkurtimisht, kjo është përmbledhja e CV të ambasadorit të tanishëm të Kroacisë në Tiranë, Zlatko Kramariç.

Si lexues i rregullt i Albanian Daily News dhe kontributor i veçantë me biseda, opinione, dhe analiza gjatë detyrës së tij si ambasador në Tiranë, ishim kureshtarë të dinim se cila ishte e gjitha kjo lidhje e karrierës së tij nga viti 1990 deri 2021.

30 vjetori i tragjedisë së Vukovarit, kur anëtarët e Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë dhe formacioneve paraushtarake serbe hynë brenda qytetit të shkatërruar pas tre muajsh shtetrrethim, u përkujtua si gjithmonë me pjesëmarrjen e autoriteteve më të larta të vendit.

Kjo ishte një shtysë më shumë që ADN të diskutonte me ambasadorin, Kramariç, si një prej politikanëve kryesor në Kroaci dhe kryebashkiak i Osijek gjatë artilerisë bombarduese të qytetit nga Ushtria Popullore Jugosllave, e cila ndodhi nga gushti i vitit 1991 deri në qershor të vitit 1992 gjatë luftës kroate për pavarësi, e cila hyri në histori si Beteja e Osijek (Në gjuhën kroate – Bitka za Osijek.)

‘E gjithë veprimtaria ime gjatë të gjithë karrierës sime ka qenë rezultat i tre zgjedhjeve, të cilat më kanë mundësuar të zbatoj një pozicion si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. E di që është një kombinim i pamundur dhe kontradiktor, por kjo është pikërisht arsyeja përse mua më pëlqeu. Dhe e gjitha kjo veprimtari më bën një person të lumtur e të kënaqur,’ u shpreh ambasadori Kramariç duke nënkuptuar me mirësjellje se ka edhe më shumë se kaq.

Ai besonte se ‘Kriza Jugosllave’ do zgjidhej përmes mjeteve politike dhe jo ushtarake si vijimësi e asaj që po ndoshte pas rënies së Murit të Berlinit, kryebashkiaku i ri i Osijek, një qytet pranë Vukovarit, pa që politika e të fortit serb, Slobodan Miloseviç, ishte krijimi i Serbisë së Madhe, një Jugosllavi e re pa Sloveninë. ‘Ai vendim ishte thelbësor, vendimtar, sepse injoroi rezultatet e zgjedhjeve demokratike në Kroaci. Miloseviçit iu dha drita jeshile për planet e tij imperialiste,’ zbuloi Ambasadori.

Ai kujton se kur u përfshi Bashkimi Evropian në zgjidhjen e krizës në korrik të vitit 1991, përpjekjet e tyre ishin pa efekt. Ushtria jugosllave, bashkë me vullnetarët serb nga Serbia, Bosnja, Mali i Zi, dhe serbë vendas, po ndërmerrte veprime ushtarake duke sulmuar qytete kroate me qëllimin rrëzimin e qeverisë demokratike të Kroacisë, apo duke copëtuar ato pjesë të Kroacisë që i konsideronte ‘troje serbe.’ ‘Kështu që, është qesharake dhe e turpshme të flasësh për luftën në Kroaci si kategori e luftës civile,’ shprehet ambasadori, i cili thekson se, ‘është një luftë klasike imperiale për territore të huaja.’

I pyetur për iniciativën e Ballkanit të Hapur, ai u shpreh se është tejet e rëndësishme të kuptohet sa më parë, para se të jetë vonë, se të gjitha pasojat e mundshme politike që fshihen pas shprehjes së ‘sinqertë’: ‘Bota Serbe’ e cila me ngadalë por në mënyrë të sigurtë po legjitimizohet përmes iniciativës së Ballkanit të Hapur dhe me mbështetje ndërkombëtare.

Ambasadori tregohet i shqetësuar se situata politike në Ballkan nuk është e mirë dhe se rajoni mbetet ende një fuçi baruti. Nga ana tjetër, sipas tij, bashkësia ndërkombëtare, si rregulator, është e vonuar me reagimet e saj, e madje edhe kur reagon, reagimi është i papërshtatshëm.

Po e çon Bosnjën drejt konfliktit, Dodiku sfidon Perëndimin: Kam përkrahjen e Rusisë dhe Kinës

Anëtari serb i presidencës së Bosnjës Milorad Dodik është shprehur se ka ndihmën e presidentit rus Vladimir Putin dhe atij kinez Xi Jinping, në rast se ka probleme me përëndimin. Këtë deklaratë ai e dha për “The Guardian” në një kohë që po akuzohet se po nxit konflikt.

“Kur shkoj te Putini, nuk ka kërkesa. Ai vetëm thotë: ‘Me çfarë mund të ndihmoj?’. Për çfarëdo që kam folur me të, nuk jam mashtruar kurrë”, ka thënë Dodik.

Lexo Edhe:

Për Xi Jinping, ai gjithashtu thotë se, “Nëse ka ndonjë gjë me të cilën mund të ndihmoj, unë jam këtu”. Dodik është dënuar gjerësisht në javët e fundit për qëllimin e tij për të tërhequr pjesën serbe të Bosnjës nga institucionet shtetërore.

Propozimi u cilësua në një raport të OKB-së si një “ndarje” dhe një rrezik për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës civile pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Lufta kushtoi rreth 100,000 jetë.

Kjo marrëveshje paqeje krijoi një shtet, Bosnje Hercegovinën, të përbërë nga dy entitete, Federata e Bosnje Hercegovinës, e cila përbëhet kryesisht nga myslimanë e kroatë boshnjakë dhe Republika Serbe.

Presidenca tre-anëtare e Bosnjës mbahet nga përfaqësues të tre grupeve kryesore etnike.  Që nga viti 2017, Dodikut i është ndaluar të udhëtojë në SHBA, pasi ai sfidoi Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës, duke organizuar një referendum për festimin e Ditës së Republikës Srpska, duke shënuar datën në vitin 1992 kur serbët e Bosnjës shpallën shtetin e tyre në Bosnje.

Referuar paralajmërimeve të Gjermanisë për sanksione financiare, ai tha se “Unë nuk jam indiferent, por nuk u zgjodha për të qenë frikacak”. Ai mohoi edhe një herë fajin për atë që po ndodh dhe për akuzat se dëshiron një konflikt në Bosnjë dhe se nuk dëshiron rënien e shtetit.

Serbia ua refuzoi kërkesën për vizitë në Luginë katër ministrave të Kosovës, reagon Shaip Kamberi

Ministri e Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se Serbia ua ka refuzuar kërkesën për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, atij dhe ministrave, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku, raporton Express.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Kamberi ka shkruar në “Facebook”, se Serbia mbetet i vetmi vend në rajon që me ligj kufizon lirinë e përdorimit zyrtarë të simboleve kombëtare.

“Serbia nuk ka lejuar vizitën e sotme të katër ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës. Çfarë asimetrie të drejtash mes Luginës së Preshevës me serbët në Kosovë.  Serbia mbetet i vetmi vend në rajon që me ligj kufizon lirinë e përdorimit zyrtarë të simboleve kombëtare”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Serbia nuk ka lejuar vizitën e sotme të katër ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës. Çfarë asimetrie të drejtash mes Luginës së Preshevës me serbët në Kosovë.

Serbia mbetet i vetmi vend në rajon që me ligj kufizon lirinë e përdorimit zyrtarë të simboleve kombëtare.

Si pasojë e kësaj, Lugina e Preshevës, sot, në festën më të madhe kombëtare, mbetet rajoni vetëm i banuar me shqiptarë që nuk mundet lirshëm të realizojë të drejtën  dhe lirinë e përdorimit të simbolit kombëtar si pjesë të identittit kombëtarë.

Në këto rretha ndër më të rëndat nëpër të cilat po kalon, Lugina e Preshevës, ka nevojën si kurdoherë më parë për ndihmën shtetërore të  Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

S,ka moment tjetër për veprim, sot është nevoja, sot është edhe koha:

“Right Here, Right NOW”

Vuçiq takohet me Putinin në Soçi, biseduan rreth Kosovës

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq takon presidentin rus, Putin në Sochi, 25 nëntor 2021

 

RFE/RL

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është takuar më 25 nëntor me presidentin rus, Vladimir Putin, në Soçi.

Temë e takimit ndërmjet presidentit serb, Vuçiq dhe presidentit rus, Putin ishin edhe çështje politike.

Presidenti rus deklaroi se sa i përket Kosovës, pozita e Rusisë është ‘parimore’.

“Sa i përket Kosovës, ju e dini që pozita e Rusisë është parimore dhe nuk nënshtrohet ndaj situatës aktuale politike. Ne e përkrahim pozitën tuaj, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit me Kosovën dhe shpresoj që do të zgjidhet duke ju përshtatur interesave të të gjithë njerëzve që jetojnë atje”, tha Putin.

Në anën tjetër, presidenti serb shprehi mirënjohje për përkrahjen e Rusisë në ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë.

“Siç e dini tashmë, në rajonin tonë jemi dëshmitarë të shtimit të provokimeve dhe tensioneve, sidomos në territorin e Kosovës”, tha Vuçiq.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës ngase e konsideron pjesë e territorit të saj dhe e quan ‘Kosovë e Metohi’. As Rusia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe voton kundër anëtarësimit të saj në OKB. Rrjedhimisht Serbia refuzon të imponojë sanksione ndaj Moskës, e që është kërkesë e Bashkimit Evropian.

Vuçiq e Putin dakordohen për gazin

Gjatë takimit, presidenti rus Putin i ka thënë presidentit serb që do të gjejë zgjidhje të pranueshme për çmimin e gazit rus për Serbinë.

“Mendoj që do të dakordohemi, dhe do të kërkojmë nga palët relevante që të kryejnë këtë punë. Sidoqoftë do të gjejmë zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme për miqtë tanë serbë”, tha Putin në Soçi ku u takua me presidentin serb.

Në lidhje me këtë, Vuçiq deklaroi se raportet mes Serbisë dhe Rusisë janë në nivelin më të lartë sepse shtetet janë partnerë strategjikë, dhe se bashkëpunimi po vazhdon në të gjitha fushat.

Këtu përfshihet edhe bashkëpunimi ushtarako-teknik. Duke folur për këtë Putin theksoi se manovrat e rregullta të forcave të sigurisë ‘padyshim që u shërbejnë të dyja shteteve’.

Vuçiq qëndron në Rusi për vizitë njëditëshe, (25 nëntor) dhe siç ishte paralajmëruar, takimi me Putinin është mbajtur në katër sy.

“Secili takim me presidentin e Federatës ruse, Vladimir Putin, ka rëndësi të jashtëzakonshme për shtetin tonë”, shkroi presidenti serb në llogarinë e tij në Instagram, krahas një videoje në të cilën shihej duke u përshëndetur me Putinin në fillim të takimit mes tyre.

Vuçiq kishte deklaruar se do ta luste presidentin Putin për çmim më të arsyeshëm të gazit, e që në Serbi aktualisht paguhet 270 dollarë për 1 mijë metra kub.

Serbia në tërësi varet nga gazi rus. Marrëveshja me distributorin rus “Gazprom” do të skadojë në fund të vitit 2021, derisa në vazhdim janë negociatat për marrëveshje të re, e presidenti serb qysh më 15 tetor për transmetuesin publik serb kishte deklaruar që pala ruse propozoi çmim tri herë më të shtrenjtë krahasuar me atë aktual.

Takimi ndërmjet Vuçiqit dhe Putinit më 25 nëntor është i 19-i me radhë.

Vuçiq për herë të fundit ishte takuar me Putinin në qershor 2020, kur mori pjesë në paradën ushtarake në Moskë me rastin e shënimit të 75-vjetorit të fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.

Bullgaria vë sërish veton për Maqedoninë: Të ndahet nga Shqipëria

Bullgaria ju ka kërkuar zyrtarisht shteteve anëtare të BE-së që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut sa i përket procesit të integrimit.

Klan News raporton se Bullgaria kërkon që Shqipëria të gjykohet për meritat e saj dhe të vijojë rrugën drejt integrimit.

“Maqedonia e Veriut nuk plotëson ende kriteret për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, thuhet në një reagim të qeverisë bullgare.

Këtë propozim e ka bërë edhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Vendimi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut ka ngecur në Këshillin e BE-së, pasi Bullgaria ka vendosur veto për shkak të mospajtimeve që ka me Shkupin zyrtar.

Megjithatë me gjithë idenë e hedhur për ndarjen e dy shteteve për procesin e integrimit, disa shtete anëtare të BE-së kanë kundërshtuar që të hapen negociatat vetëm për Shqipërinë. syri.net

Atletja e njohur: Autobusit të Besa Trans nuk i punonin frenat, i korruptonin me nga 10 euro policët bullgarë

Atletja e njohur, Drita Islami, ka ndarë një përvojë nga një udhëtim me kompaninë “Besa Trans”, autobusi i së cilës u aksidentua dhe u përfshi nga flakët të martën në Bullgari, ku mbetën të vdekur 45 persona dhe u lënduan shtatë të tjerë, raporton Express.

Gjatë këtij udhëtimi, ajo thotë se policia e kishte ndaluar autobusin për kontroll teknik dhe se nuk e kishte kaluar testin për frenim dhe se freni i dorës nuk ishte në funksion fare.

“Në vitin 2019, kur më duhej të udhëtoja deri në Aeroportin e Sofjes, po kjo kompani ishte ajo prej së cilës bleva biletë. Mjeti i tyre transportues u ndalua nga policia për kontrollim teknik. Policia e kishte ndaluar edhe 2 her të tjera gjat të njejtës javë por e kishin lëshuar disi, por kësaj rradhe JO. Bashkë me pesë udhëtar të tjerë, ishim dëshmitar që ky mjet transporti i kësaj kompanie, nuk e kaloi testin për frenim‼️kurse freni i dorës nuk ishte në funksion fare ‼️”, ka shkruar Islami.

Tutje, ajo ka thënë se më pas u detyruan të vazhdojnë udhëtimin me një mjet tjetër privat. Edhe me ketë mjet, thotë se policia bullgare i kishte ndaluar disa herë për tejkalim shpejtësie, por se vozitësi i automjetit i korruptonte me vetëm 10 euro.

“Më pas, u detyruam të vazhdojmë udhëtimin me mjet tjetër privat, ja që vozitësi i këtij mjeti, në fakt, ishte vozitës “hua” i kësaj kompie në rast se mjetet e tyre nuk e kalojnë kontrollimin me sukses, transportohen me këtë mjet, vetur normale për 5 persona, kurse ne bashk me vozitësin ishim 7, i cili na rrezikoi jetët dona disa her gjat rruges, duke u ndaluar nga policia bullgare për tejkalim shpejtësie dhe i korruptonte me vetëm 10€ ‼️  Do të thotë, kjo kompani asnjëherë nuk ka tentuar t’i rregullojë problemet teknike të mjetëve të tyre, dhe nuk mban përgjegjsi për jetën e udhëtarëve. Po e paguajmë çmimin e mos të mbajturit përgjegjës njerëzit për gabimet e tyre, edhe atë me çfarë çmimi se!”, ka shkruar Islami.

Autobusi, i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë nga flakët në një autostradë, në jugperëndim të Sofjes, mëngjesin e 23 nëntorit.

Hetimet për shkakun e zjarrit kanë nisur. Në mesin e viktimave janë gjithsej 12 fëmijë, përfshirë dy vëllezër binjakë nga 4 vjeç.

Shumica e udhëtarëve ishin turistë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë. Shtatë persona kanë shpëtuar dhe janë dërguar me djegie në spital.

Maqedonia e Veriut ka shpallur tri ditë zie për viktimat. Ditë zie kanë shpallur edhe Kosova dhe Bullgaria.

Presidenti i Bullgarisë: Qeveria e re nuk duhet të bëjë lëshime ndaj Maqedonisë së Veriut

Presidenti aktual bullgar Rumen Radev, ka fituar një mandat të dytë pesëvjeçar, duke mundur kundërshtarin Anastas Gerdzhikov, në balotazhin e 21 nëntorit.

Në një deklaratë për mediat ai ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Qeveria e re nuk do të bëjë lëshime nga pozitat nacionale kur bëhet fjalë për identitetin, historinë bullgare dhe të drejtat e bashkë-atdhetarëve tanë prapa kufirit”, ka thënë ai.

Ndërkohë sipas rezultateve zyrtare preliminare, 58-vjeçari Radev mori 66 për qind të votave ndërsa Gerdzhikov, rektor i Universitetit të Sofjes, fitoi 32 për qind.

Çfarë prodhuan zgjedhjet e treta parlamentare në Bullgari?

Presidenca e Bullgarisë ka rol kryesisht ceremonial, por Radev e ka transformuar rolin dhe ka qenë aktiv në luftën kundër korrupsionit. Bullgarët votuan më 14 nëntor edhe për zgjedhjen e parlamentit të ri. Ky proces zgjedhor është vlerësuar shumë i rëndësishëm pasi vendi anëtar i Bashkimit Evropian është i përfshirë në një krizë politike disamujore. Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare partia e re kundër korrupsionit “Ne Vazhdojmë Ndryshimin” doli e para, e pasuar nga partia e qendrës së djathtë GERB e ish-kryeministrit, Bojko Borisov. Bullgaria vlerësohet të jetë rrënuar nga korrupsioni që nga përmbysja e komunizmit më shumë se tre dekada më parë. Vazhdimisht ky vend kritikohet për korrupsion dhe liri të medias.

Këshilli i Evropës u bëri thirrje autoriteteve serbe të heqin muralin kushtuar Ratko Mladiçit

VOA

Piero Fassino dhe Ian Liddell-Grainger, raportues për Serbinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u bënë thirrje autoriteteve serbe që të ndërmarrin veprime të qarta kundër “madhërimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe të largojnë, pa vonesë, një mural në Beograd kushtuar Ratko Mladiçit, i dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Në një komunikatë të përbashkët, ata u shprehën “të tronditur nga dështimi i autoriteteve – pavarësisht një vendimi të policisë komunale – për të hequr atë mural të vendosur në mënyrë të paligjshme dhe që Nisma e Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), fituese e çmimit Václav Havel, u pengua të zhvillojë një demonstratë kundër muralit me 9 nëntor 2021, ndërsa ministria e Brendshme ju referuar ‘shkaqeve të sigurisë’”.

Me 9 nëntor, policia në Beograd arrestoi dy gra që hodhën vezë mbi një mural kushtuar të dënuarit për krime lufte dhe gjenocid, Ratko Mladiç, ndërsa më herët kishte ndaluar përpjekjet e grupeve për të drejtat e njeriut që të heqin muralin.

“Këto ngjarje na kujtojnë nevojën për të luftuar pa mëdyshje kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës. Akte të tilla dëmtojnë bashkëpunimin rajonal dhe pengojnë procesin e integrimit evropian të cilin e synon Serbia. Një shoqëri demokratike nuk mund të jetojë duke mohuar krimet e luftës dhe në një kulturë të urrejtjes dhe mosndëshkimit”, thuhet në komunikatën e raportuesve duke u bërë thirrje autoriteteve serbe të heqin pa vonesë muralet që lavdërojnë kriminelët e luftës.

Përplasjet dhe debatet rreth muralit, nxitën reagime të zyrtarëve amerikanë dhe evropianë.

Në qershor të këtij viti, Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zyrtarja e OKB-së: Mohimi i gjenocidit parandalon përparimin e shoqërisë

Alice Wairimu Nderitu, këshilltare speciale në OKB për parandalimin e gjenocidit. Beograd, 19 nëntor 2021.

RFE/RL

Serbia dhe shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë duhet të bëjnë më shumë për të luftuar mohimin e gjenocidit dhe gjuhën e urrejtjes, nëse duan që shoqëritë e tyre të lëvizin përpara, tha për Radion Evropa e Lirë, Alice Wairimu Nderitu, këshilltare speciale e Kombeve të Bashkuara për parandalimin e gjenocidit.

Gjatë vizitës në Beograd, Nderitu tha se i takon elitave politike të shteteve që kanë përjetuar gjenocid që të vlerësojnë me saktësi të kaluarën dhe të pranojnë fajin, në mënyrë që të lejojnë brezat e rinj të shikojnë drejt së ardhmes.

“Përderisa ka një grup njerëzish me ndikim që mohojnë se gjenocidi ka ndodhur në Srebrenicë ose që gjenocidi ka ndodhur në Ruanda ose e mohojnë Holokaustin, vazhdon të jetë shumë e vështirë për shoqërinë që të lëvizë përpara”, tha ajo.

“Ata, gjeneratat e reja, duhet të shikojnë nga e ardhmja dhe të mendojnë në mënyrë pozitive për të ardhmen”, tha Nderitu.

Duke iu referuar muralit të komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, Ndaritu tha se një mural i tij nuk do të duhej të bëhej fare.

Mlladiq, 79 vjeç, kishte udhëhequr forcat serbe të Bosnjës në luftën në Bosnje në vitet 1992-95. Ai është dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte për vrasjen e mbi 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në qytetin lindor të Srebrenicës.

Mlladiq është i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzit. Më 2017 ai kishte apeluar dënimin, por tribunali me seli në Hagë, në qershor të këtij viti, hodhi poshtë ankesën e tij.

Por, shumë persona në Serbi ende e shohin Mlladiqin si hero të luftës, dhe një mural me portretin e tij, që u shfaq një muaj më parë në fasadën e një ndërtese në qendër të Beogradit, ka nxitur tensionet ndërmjet mbështetësve të tij dhe personave që e kundërshtojnë atë.

Që atëherë, murali është ngjyrosur disa herë, por shpejt është kthyer në gjendjen origjinale.

“Mendoj se murali i dha vëmendje Serbisë, por për arsye të gabuara”, tha Nderitu.

“Pse dikush do të dëshironte ta kishte atë mural? Ne duhet të shkojmë përtej dhe të pyesim pse njerëzit duan të identifikohen me Ratko Mlladiqin, aq shumë sa janë në gjendje ta mbrojnë muralin dedikuar atij”, tha ajo.

Zyrtarja e OKB-së dhe se problem thelbësor vazhdon të jetë vullneti i politikanëve për të toleruar mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.

“Është e nevojshme që të merremi me narrativë të tillë nga e kaluara, të luftojmë gjuhën e urrejtjes dhe mohimin e gjenocidit. Problemi kryesor është pikërisht ky: mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës”, tha Nderitu për Radion Evropa e Lirë.


Send this to a friend