Një tjetër kryeministër shqiptar në Ballkan. Dritan Abazoviç ka marrë sot drejtimin e qeverisë së re të Malit të Zi, dy ministra të së cilës janë shqiptarë.
Kush e përbën Qeverinë e pakicës?
Qeveria e pakicës përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA e Abazoviqit, Partia Popullore Socialiste pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.
Kabineti i ka 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol.
Abazoviqi ka mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.
Ai, po ashtu, ka mbështetjen parlamentare të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit malazez, Millo Gjukanoviq, por pa pjesëmarrjen e saj.
Katër pozitat e zëvendëskryeministrave u janë ndarë partive që përbëjnë Qeverinë e re.
URA e Abazoviqit udhëheq pesë ministri, përfshirë edhe atë të Punëve të Brendshme, me në krye Filip Axhiqin.
Ministria e Çështjeve Evropiane udhëhiqet nga Jovana Maroviq, e cila është zgjedhur edhe zëvendëskryeministre nga radhët e URA-s.
Partia Popullore Socialiste, përveç postit të zëvendëskryeministrit, i cili mbulohet nga kreu i partisë, Vlladimir Jokoviq, udhëheq gjashtë ministri. Jokoviq do të jetë edhe ministër i Bujqësisë. Partia e tij ka marrë edhe udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Financave, të Arsimit, të Shëndetësisë dhe të Sportit.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Rashko Konjeviq, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Nga kjo parti, Ministrinë e Punëve të Jashtme e udhëheq Ranko Krivokapiq, ish-kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Kryetari i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Investimeve Kapitale. Kjo parti udhëheq edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me në krye Admir Adroviqin.
Përfaqësuesit e shqiptarëve, ndërkaq, kanë marrë dy poste ministrore.
Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është zgjedhur kreu i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, ndërsa ministër i Administratës Publike është Marash Dukaj nga Alternativa Shqiptare.
Iniciativa Qytetare Kroate – subjekt jashtëparlamentar – ka marrë postin e ministrit pa portofol, i cili udhëhiqet nga Adrijan Vuksanoviq.
Personalitete jopartiake në kabinetin e Avbazoviqit janë Bilana Shqepanoviq në Ministrinë e Shkencës dhe Masha Vllaoviq në Ministrinë e Kulturës dhe Medias.
Zgjedhjes së Qeverisë së re të pakicës i ka paraprirë zgjedhja e kryetares së Kuvendit, Danijella Gjuroviq, nga Partia Popullore Socialiste.
Qeveria e re është zgjedhur gati tre muaj pasi Kuvendi i këtij vendi ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, më 4 shkurt.
Tre ditë më vonë, më 7 shkurt, është shkarkuar edhe kryetari i Kuvendit, Alleksa Beçiq, udhëheqës i Demokratëve.
Qeveria e Krivokapiqit është formuar në dhjetor të vitit 2020 nga një koalicion mes Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare URA.
Kjo Qeveri ka pasur një shumicë të ngushtë në Kuvend – prej 41 deputetësh – por ka kthyer DPS-në e Gjukanoviqit në opozitë pas tri dekadash.
Dallimet në qëndrime midis partnerëve të koalicionit kanë nisur të shpërfaqen shumë shpejt pas formimit të tij dhe palët shpesh nuk kanë qenë të njëzëshme në vendime.
Në seancën e Kuvendit të Malit të Zi, më 28 prill në Cetinje, u votua Qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviq, me çka përfundoi mandati teknik tremujor i Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, të cilit iu votua mosbesimi më 4 shkurt.
Shumica e re parlamentare, e cila votoi për Qeverinë, më herët zgjodhi Danijela Gjuroviqin për kryetare të Parlamentit, e cila zhbllokoi punën e legjislativit pas gati tre muajsh.
Për zgjedhjen e Qeverisë votuan 45 deputetë nga gjithsej 81 sa janë në Parlamentin malazias, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.
Për kabinetin e Abazoviqit votuan 16 deputetë të partive që përbëjnë Qeverinë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe 29 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.
Qëllimi i Qeverisë së re është të zhbllokojë procesin e integrimit evropian të Malit të Zi dhe zgjedhjen e pozitave udhëheqëse në Gjyqësor, theksoi kryeministri Abazoviq.
Në seancë nuk morën pjesë deputetë nga Fronti Demokratik Pro-Serb dhe Demokratët, të cilët kundërshtojnë fuqishëm Qeverinë e pakicës të mbështetur nga DPS-ja.
Këto parti, së bashku me lëvizjen URA të Abazoviqit dhe SNP-në, kanë qenë në pushtet që nga zgjedhjet e gushtit 2020, kur pas tri dekadash e zhvendosën DPS-në në opozitë. Një vit e gjysmë pas zgjedhjeve, për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ajo shumicë parlamentare u shpërbë dhe anëtari më i vogël i saj, partia URA e Abazoviqit, hyri në procesin e formimit të një qeverie të pakicës me mbështetjen e DPS-së së Gjukanoviqit.
Prandaj, Fronti Demokratik dhe Demokratët e akuzojnë Abazoviqin se ka tradhtuar vullnetin elektoral të qytetarëve dhe kërkojnë zgjedhje të reja.
Abazoviq tha në fjalimin e tij të enjten se ai dëshiron të bashkojë fraksionet kundërshtare të Malit të Zi nën një vizion të “një kombi demokratik, pa korrupsion dhe ekonomikisht të begatë që do të bëhet pjesë e BE-së 27-anëtare”
“Ne kemi një mundësi përpara nesh që nuk duhet ta humbasim”, tha Abazoviq. “E ardhmja jonë është evropiane”.
Pak minuta pas zgjedhjes së Abazoviqit ka reaguar shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
Në një deklaratë në Twitter, Borell e uroi zgjedhjen e Qeverisë së re.
“Presim me padurim punën tonë të përbashkët për përparim në rrugën drejt BE-së. Mali i Zi është një partner i besueshëm, i përafruar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së”, ka shkruar Borell.
Prioritetet e Qeverisë së Abazoviqit
Duke prezantuar programin e Qeverisë, Abazoviq tha se ai do të bazohet në sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa lufta kundër korrupsionit, investimet e qëndrueshme, integrimi në Bashkimin Evropian (BE) dhe mbrojtja e mjedisit do të jenë fushat kryesore të veprimit.
Ai tha, gjithashtu, se me largimin e DPS-së së Gjukanoviqit nga pushteti në zgjedhjet e gushtit 2020, Mali i Zi hyri në një fazë të re zhvillimi, duke deklaruar se qeveria e mëparshme, ekzekutive dhe legjislative, nuk arriti të përmbushte qëllimet e pritura.
“Qeveria e mëparshme dhe Parlamenti nuk arritën të gjenin një gjuhë të përbashkët dhe kjo është një nga arsyet pse reformat e nevojshme politike dhe sociale kanë ngecur për një kohë të gjatë. Zgjidhja e çështjeve të hapura që kanë bllokuar rrugën evropiane të Malit të Zi dhe proceset e tjera reformuese do të jenë fokusi i punës së qeverive të reja”, tha ai.
Prioritetet e politikës së jashtme të Qeverisë
Abazoviq tha se prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi përcaktohen me Kushtetutë dhe theksoi nevojën për të përmirësuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe ruajtjen e besueshmërisë së Malit të Zi në NATO.
“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, të cilin qeveria e mëparshme e ka dënuar tashmë dhe është zotuar të respektojë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, ka shkaktuar zhvillime të trazuara gjeopolitike. Pavarësisht këtyre sfidave dhe gjenerimit të krizave të reja, Malit të Zi i janë hapur perspektiva të reja për t’u anëtarësuar në BE”, tha ai.
Prioritetet e Qeverisë së tij përfshijnë reformën e shërbimit të sigurisë dhe reformën zgjedhore. Ai tha se Qeveria do të punojë në mbrojtjen e standardeve dhe në këtë kontekst edhe rritjen e pensioneve dhe përfitimeve sociale. Instrument kyç për luftën kundër korrupsionit është miratimi i Ligjit për shqyrtimin e prejardhjes së pasurisë, të cilin, siç tha Abazoviq, do ta dorëzojë në Kuvend me procedurë urgjente.
Çështje të diskutueshme
Tri temat për të cilat palët në përbërje të Qeverisë kanë negociuar më së shumti janë regjistrimi i popullsisë, nënshkrimi i Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe iniciativa rajonale Ballkani i Hapur (Open Balkan).
Në ekspoze, Abazoviq ka komentuar shkurt për këto tema.
Ai tha se Ligji për regjistrimin e popullsisë është duke u planifikuar në përputhje me standardet evropiane. Kjo çështje shkakton tensione në Mal të Zi, sepse për një pjesë të opinionit politik nuk është çështje statistikore, por çështje të regjistrimit kombëtar dhe fetar.
Ndër prioritetet e programit të qeverisë së re është rregullimi i marrëdhënieve kontraktuale me bashkësitë fetare në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi. Me marrëveshjen bazë, shteti i Malit të Zi duhet të saktësojë marrëdhëniet pronësore-juridike me kishën ortodokse serbe.
Edhe pse nuk e ka përmendur konkretisht Ballkanin e Hapur, Abazoviq ka thënë se Qeveria do të merret me shqyrtimin e iniciativave rajonale në kuadër të qëllimit kyç – anëtarësimit më të shpejtë të Malit të Zi në BE. Partitë pro-malazeze janë kundër Iniciativës për Ballkanin e Hapur, e cila e konsideron atë pjesë të projektit të “botës serbe”, qeverisë aktuale në Serbi.
Kush e përbën Qeverinë e pakicës?
Qeveria e pakicës përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA e Abazoviqit, Partia Popullore Socialiste pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.
Kabineti i ka 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol.
Abazoviqi ka mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.
Ai, po ashtu, ka mbështetjen parlamentare të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit malazez, Millo Gjukanoviq, por pa pjesëmarrjen e saj.
Katër pozitat e zëvendëskryeministrave u janë ndarë partive që përbëjnë Qeverinë e re.
URA e Abazoviqit udhëheq pesë ministri, përfshirë edhe atë të Punëve të Brendshme, me në krye Filip Axhiqin.
Ministria e Çështjeve Evropiane udhëhiqet nga Jovana Maroviq, e cila është zgjedhur edhe zëvendëskryeministre nga radhët e URA-s.
Partia Popullore Socialiste, përveç postit të zëvendëskryeministrit, i cili mbulohet nga kreu i partisë, Vlladimir Jokoviq, udhëheq gjashtë ministri. Jokoviq do të jetë edhe ministër i Bujqësisë. Partia e tij ka marrë edhe udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Financave, të Arsimit, të Shëndetësisë dhe të Sportit.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Rashko Konjeviq, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Nga kjo parti, Ministrinë e Punëve të Jashtme e udhëheq Ranko Krivokapiq, ish-kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.
Kryetari i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Investimeve Kapitale. Kjo parti udhëheq edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me në krye Admir Adroviqin.
Përfaqësuesit e shqiptarëve, ndërkaq, kanë marrë dy poste ministrore.
Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është zgjedhur kreu i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, ndërsa ministër i Administratës Publike është Marash Dukaj nga Alternativa Shqiptare.
Iniciativa Qytetare Kroate – subjekt jashtëparlamentar – ka marrë postin e ministrit pa portofol, i cili udhëhiqet nga Adrijan Vuksanoviq.
Personalitete jopartiake në kabinetin e Avbazoviqit janë Bilana Shqepanoviq në Ministrinë e Shkencës dhe Masha Vllaoviq në Ministrinë e Kulturës dhe Medias.
Zgjedhjes së Qeverisë së re të pakicës i ka paraprirë zgjedhja e kryetares së Kuvendit, Danijella Gjuroviq, nga Partia Popullore Socialiste.
Qeveria e re është zgjedhur gati tre muaj pasi Kuvendi i këtij vendi ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, më 4 shkurt.
Tre ditë më vonë, më 7 shkurt, është shkarkuar edhe kryetari i Kuvendit, Alleksa Beçiq, udhëheqës i Demokratëve.
Qeveria e Krivokapiqit është formuar në dhjetor të vitit 2020 nga një koalicion mes Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare URA.
Kjo Qeveri ka pasur një shumicë të ngushtë në Kuvend – prej 41 deputetësh – por ka kthyer DPS-në e Gjukanoviqit në opozitë pas tri dekadash.
Dallimet në qëndrime midis partnerëve të koalicionit kanë nisur të shpërfaqen shumë shpejt pas formimit të tij dhe palët shpesh nuk kanë qenë të njëzëshme në vendime.
Shtylla kyçe të Qeverisë së re të Malit të Zi do të jenë sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik, tha i mandatuari për kryeministër, Dritan Abazoviç, në ekspozenë e dorëzuar në Kuvendin e Malit të Zi. Qeveria e re e këtij vendi pritet të zgjidhet në një seancë parlamentare, që do të mbahet më 28 prill në Cetinë. Atë pritet ta përbëjnë Lëvizja Qytetare URA e Abazoviçit, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve dhe boshnjakëve. Qeveria e re pritet të ketë 46 deputetë, nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.
Qeveria pritet të ketë mbështetje parlamentare edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit malazez, Millo Gjukanoviç. Por, ajo kundërshtohet fuqishëm nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, si dhe Demokratët – dy subjekte që kanë përbërë koalicionin e deritashëm qeveritar. Në ekspozenë e Abazoviçit thuhet se në tremujorin e parë të punës së Qeverisë së re, është planifikuar një projektligj për regjistrimin e popullsisë, në përputhje me standardet evropiane.
Regjistrimi i popullsisë shkakton tensione në Mal të Zi, sepse për një pjesë të opinionit politik ai nuk është çështje statistikore, por çështje e regjistrimit kombëtar dhe fetar. Në fushën e prioriteteve të politikës së jashtme, Abazoviç përmend formimin e Ministrisë së Çështjeve Evropiane, me qëllim të, siç thuhet, koordinimit dhe komunikimit më të mirë me strukturën negociatore të BE-së. “Unë besoj se Mali i Zi mund të kërkojë një pranim të përshpejtuar [në BE] dhe se me vendime urgjente, por të mençura, mund të bëhet anëtar i plotë së shpejti”, tha Abazoviç.
Në mesin e prioriteteve të Qeverisë së tij përmendet edhe marrëveshja për bartësit e funksioneve gjyqësore, pastaj Ligji për origjinën e pronës, reforma zgjedhore, rishikimi i gjendjes aktuale në arsim dhe kulturë, e të tjera.
Abazoviç është propozuar për kryeministër të Qeverisë së re të Malit të Zi më 3 mars, nga presidenti i këtij vendi, Millo Gjukanoviç. Qeveria e rrëzuar, e udhëhequr nga kryeministri Zdravko Krivokapiç, është formuar në dhjetor të vitit 2020 nga një koalicion mes Frontit Demokratik, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare URA. Kjo Qeveri ka pasur një shumicë të ngushtë në Kuvend – prej 41 deputetësh – por ka kthyer DPS-në në opozitë pas tri dekadash.
Dallimet në qëndrime midis partnerëve të koalicionit kanë nisur të shpërfaqen shumë shpejt pas formimit të tij dhe palët shpesh nuk kanë qenë të njëzëshme në vendime. bw
Filantropisti turk Osman Kavala u dënua të hënën me burgim të përjetshëm pa të drejtën e apelimit pasi u shpall fajtor për përpjekje për të përmbysur qeverinë përmes financimit të protestave.
Gjykata e lartë evropiane dhe fuqitë perëndimore thonë se çështja kundër tij ishte e motivuar politikisht.
64 vjeçari Kavala kishte qenë në qeli për 4 vjet e gjysëm pa qenë i dënuar dhe kishte mohuar akuzat ndaj tij lidhur me protestat e Gezit, të cilat filluan si demonstrata të vogla në një park të Stambollit në vitin 2013 dhe u transformuan në protesta masive antiqeveritare në mbarë vendin.
Gjykata dënoi gjithashtu shtatë persona të tjerë me 18 vjet burg secili për ndihmë në një përpjekje për të përmbysur qeverinë dhe urdhëroi arrestimin e tyre. Gjykata tha se vendosi të hedhë poshtë akuzat për spiunazh ndaj Kavalës për shkak të mungesës së provave.
Salla e gjyqit ishte e mbushur me më shumë se 200 njerëz, përfshirë anëtarë të opozitës dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, shumë prej të cilëve hidhnin parulla kundër trupit gjykues në shenjë proteste.
Në fjalët e tij të fundit përpara vendimit, Kavala tha se kërkesa e prokurorit për një dënim të përjetshëm bazohej në “prova që nuk janë prova” dhe përbënte “një akt vrastar përmes përdorimit të gjyqësorit”.
Zoti Kavala kishte luajtur një rol madhor në zhvillimin e shoqërisë civile turke përpara se të arrestohej në vitin 2017, nga një shtëpi botuese që synonte të nxiste ndryshimet shoqërore pas grushtit të shtetit të Turqisë në vitin 1980 deri në rritjen e ndërgjegjësimit nëpërmjet organizatës së tij Anadolu Kultur.
Nils Muiznieks, Drejtori i Amnesty International për Evropën, reagoi pas shpalljes së dënimeve:
“Ky vendim i jep një goditje shkatërruese jo vetëm Osman Kavalës, të pandehurve të tjerë dhe familjeve të tyre, por të gjithë atyre që besojnë në drejtësinë dhe aktivizmin e të drejtave të njeriut në Turqi. dhe më gjerë.”
“Vendimi i gjykatës është kundër çdo logjike. Ky vendim i padrejtë tregon se gjyqi për Gezin ishte vetëm një përpjekje për t’u mbyllur gojën zërave të pavarur”, tha ai.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe aktivistë kanë thënë se çështja është e motivuar politikisht dhe pjesë e një goditjeje ndaj disidencës nën Presidentin Tajip Erdogan – akuza që qeveria i hedh poshtë.
Gjykata Evropiane bëri thirrje për lirimin e Kavalës në fund të vitit 2019 dhe deklaroi se ndalimi i tij kishte për qëllim t’i mbyllte gojën filantropistit, projektet e shoqërisë civile të të cilit synonin të nxisnin ndryshimet shoqërore.
Ankaraja tani përballet me pezullimin nga Gjykata Evropiane, që është mbikëqyrësi i të drejtave të njeriut në Këshillin e Evropës.
Emma Sinclair-Webb, përfaqësuesja e Human Rights Watch për Turqinë tha se vendimi ishte një “sfidim i hapur ndaj Këshillit të Evropës”.
Ambasadat e aleatëve perëndimorë të Turqisë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, i bënë jehonë thirrjes për lirimin e Kavalës vitin e kaluar, duke sjellë si rezultat paralajmërimin nga presidenti Erdogan për dëbimin e ambasadorëve të tyre.
Lëvizja për Liri e biznesmenit liberal, Robert Golob, ka shënuar fitore ndaj tri herë kryeministrit Janez Jansha dhe Partisë Demokratike Sllovene që ai udhëheq.
Golob, partia e të cilit është themeluar në muajin janar, ka fituar 34.5 për qind të votave në zgjedhjet e 24 prillit, në krahasim me partinë e Janshas që ka fituar 23.5 për qind të votave, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili ka numëruar 98 për qind të votave.
Vetëm tri parti tjera, ajo konservatore, Sllovenia e Re, Social-Demokratët dhe e majta, Levica, kanë marrë më shumë se 4 për qind të votave – minimumi që duhet për të hyrë në parlament.
Golob pritet të krijojë shumicën me Social-Demokratët dhe të bëhet kryeministër i ri i shtetit.
Jansha, një admirues i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, është akuzuar nga opozita gjatë fushatës zgjedhore se ka tentuar të dëmtojë institucionet demokratike dhe lirinë e mediave.
Golob, 55-vjeçar, inxhinier karizmatik, është zotuar në fjalimin e tij të fitores se rezultatet “do të na mundësojnë t’ia kthejmë lirinë shtetit”.
Prej kur Jansha ka rifituar pushtetin më 2020, mijëra sllovenë kanë protestuar rregullisht në rrugë, duke thënë se ai ka shfrytëzuar pandeminë e koronavirusit për të kufizuar liritë e banorëve dhe mediave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se pavarësisht presioneve, Serbia nuk do të rrezikojë interesat e saj kombëtare duke iu bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Në një intervistë për Financial Times më 21 prill, ai tha se Beogradi nuk “do të zgjedhë anë” pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian që Serbia, si shtet kandidat për anëtarësim në bllok, të harmonizojë politikat e saj të jashtme me të Brukselit, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
“Ka bisedime për zgjedhje të anëve. Jo, ne e kemi anën tonë, interesat e Serbisë. Nëntëmbëdhjetë shtete të NATO-s na bombarduan ne [më 1999] dhe vendosën sanksione ndaj nesh”, tha Vuçiq.
Bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë nisën pas dështimit të negociatave për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë. Bisedimet u mbajtën në Rambuje dhe Paris në shkurt dhe mars të vitit 1999.
Bombardimet nisën për të parandaluar eksodin e popullsisë shqiptare në Kosovë, të cilët u përballën me terrorin e ushtrisë dhe forcave policore serbe. Shumica e anëtarëve të policisë dhe ushtrisë, por edhe udhëheqja shtetërore, përfshirë Sllobodan Millosheviqin që ishte president, më vonë u gjykuan në Hagë.
Vuçiq tha për Financial Times se Serbia do të vendosë sanksione ndaj kujtdo sepse udhëheqja e shtetit nuk beson se sanksionet do të ndryshonin diçka.
“Ju mund t’i bëni presion dhe ta detyronin Serbinë, por ky është mendimi ynë”, tha ai.
Ndërkaq, gjatë një konference për media më 21 prill, Vuçiq po ashtu e pranoi se Serbia po përballet me probleme dhe po paguan “çmim shumë të lartë”, pasi është shteti i vetëm në Evropë që nuk ka vendosur masa kufizuese ndaj Rusisë.
Ai iu referua një draft-rezolute të Parlamentit Evropian, që u bën thirrje autoriteteve serbe të vendosin sanksione ndaj Rusisë.
Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë agresionin rus në Ukrainë, por edhe më herët ka thënë se nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës.
Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Serbia që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pasi kjo e fundit ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.
Gjatë një vizite të tre senatorëve amerikanë në Beograd më 19 prill, Uashingtoni përsëriti thirrjet që Serbia të harmonizonte politikat e saj me të BE-së dhe të vendoste sanksione ndaj Rusisë.
Mandatari për postin e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se javën e ardhshme, pas kremtimeve të Pashkëve, pritet të votohet qeveria e 43-të e vendit të vogël ballkanik.
Në një konferencë me gazetarë, zoti Abazoviq tha se tashmë ka siguruar mbështetjen e 46 deputetëve të parlamentit 81 vendesh.
“Nuk e arritëm numrin magjik 49, por mund të themi se rrallëherë ka ndodhur që një qeveri të mbështetet nga 46 deputetë. Kjo nuk do të thotë se dera është e mbyllur për askënd, por disa subjekte nuk treguan konstruktivitet”, tha ai.
Zoti Abazoviq tha se qeveria e re që pritet të votohet pas kremtimeve me rastin e Pashkëve, duhet të ketë katër nënkryetarë dhe 20 ministra, nga të cilët, dy do të jenë pa portofol, detyrat e të cilëve do të përcaktohen në seancën e parë të saj.
“Qëllimi është të zhbllokojmë Malin e Zi dhe t’i japim shtetit institucionet funksionale për të fituar qëndrueshmëri. Në vend që të grindemi, le të kemi pajtim dhe të përpiqemi të ndërtojmë një perspektivë evropiane. Ne nuk jemi kundër zgjedhjeve, por jemi kundër zgjedhjeve pa institucione”, tha zoti Abazoviq, duke radhitur në mesin e përparësive të qeverisë së tij dialogun e gjerë politik.
“Ndër përparësitë normative është marrëveshja për bartësit e funksioneve gjyqësore, vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe përmbushjen e standardeve të përkohshme, krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të reja dhe ndalimin e largimit të investitorëve ekzistues”, tha ai.
Kryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, mori me 3 mars mandatin për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, gati një muaj pas rrëzimit të qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç, ku ai shërbente si zëvendëskryeministër.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha se “përfaqësuesit e Lëvizjes Qytetare URA dhe partnerët e tij politikë më kanë bindur pa mëdyshje se e kanë shumicën parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së 43-të në parlament dhe se për këtë arsye kam marrë vendim që mandatin për formimin e qeverisë t’ia besojë Abazoviqit”.
Parlamenti i Malit të Zi, votoi më 4 shkurt për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Krivokapiç, e dalë nga zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit 2020. Në favor të mocionit të mosbesimit votuan 43 deputetë, 11 ishin kundër, ndërsa 27 të tjerë nuk votuan fare.
Po në shkurt, parlamenti i Malit të Zi me kërkesën e opozitës, shkarkoi edhe kryetarin e parlamentit, Aleksa Beçiç.
Ndryshimet pasuan krizën disamuajshe në marrëdhëniet mes parlamentit dhe qeverisë si dhe brenda vetë qeverisë.
Në janar të këtij viti, Lëvizja Qytetare “URA” propozoi modelin e një “qeverisjeje të pakicës”.
Sipas zotit Abazoviq, në qeverinë e re nuk do të ketë vend për Frontin Demokratik, që cilësohet si parti pro-serbe dhe pro-ruse por as për Partinë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç, e cila ishte më shumë se 3 dekada në pushtet në Malin e Zi.
Forcat politike të pakicave e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për konceptin e qeverisë së pakicës. Ata kanë thënë se kjo mbështetje do të jetë e nevojshme në të ardhmen për zbatimin e reformave dhe përparimin drejt anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Ukraina ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç se shërbimi sekret i Ukrainës është mbrapa një serie të kërcënimeve mashtruese me bomba kundër fluturimeve të kompanisë Air Serbia për në Rusi.Vuçiç ka pretenduar, pa ofruar të dhëna, se shërbimet e jashtme të inteligjencës në Ukrainë dhe në një shtet të paidentifikuar të Bashkimit Evropian janë mbrapa kërcënimeve.
“Deklaratat e tij (Vuçiçit) për përfshirjet e dyshuara të Ukrainës në kërcënime me bomba ndaj aeroplanëve serbë që udhëtojnë në Rusi, nuk janë të vërteta”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ukrainase, Oleg Nikolenko përmes një deklarate. Zyrtarë tjerë serbë kanë pretenduar se kërcënimet janë bërë nga Ukraina apo Polonia. Kompania serbe është e vetmja në Evropë që nuk u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian për fluturimet nga dhe drejt Rusisë, prej shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Disa fluturime të planifikuara për në Moskë dhe Shën Petersburg janë vonuar apo anuluar, pasi ka pasur kërcënime anonime për bomba. Vuçiç ka thënë se ndonëse fluturimet drejt Rusisë nuk janë profitabile për shkak të kthimeve të shpeshta në Beograd, ato do të vazhdojnë të realizohen “për shkak të parimeve tona”.
Serbia ka votuar për miratimin e tri rezolutave në Kombeve të Bashkuara për të dënuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës, mirëpo ky shtet nuk u është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës. Ministria e Jashtme ukrainase ka shprehur zhgënjim që Serbia, vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, nuk mbështet ende sanksionet e bllokut evropian kundër Rusisë. bw
Serbia, bashkë me Bjellorusinë e autokratit Lukashenko, janë të vetmet shtete në Evropë që nuk i kanë vënë sanksione Rusisë pas krimeve të kryera në Ukrainë, shkruan Gazeta Express. Për më tepër, në Serbi ka nisur nënshkrimi i një peticioni kundër vënies së sanksioneve ndaj Rusisë.
Serbët nuk duan që t’i vendosin sanksione Rusisë, e cila po kryen masakra dhe sulme mbi popullsinë ukrainase, prej kur presidenti Vladimir Putin dha urdhër që forcat ruse të hyjnë në territorin e Ukrainës, më 24 shkurt.
Sipas një raportimit të gazetës serbe “Danas”, këtë peticion e kanë nënshkruar më shumë se 200 figura publike, përfshirë tre akademikët Matija Beqkoviq, Kosta Çavoski dhe Vasilije Krestiq. Atë e kanë nënshkruar edhe krerë të Kishës Ortodokse Serbe dhe regjisori Emir Kusturica.
Nënshkruesit e këtij peticioni kanë thënë se shpresojnë që Ukraina ta “refuzojnë” aleancën perëndimore, që, sipas tyre, po i shtyn në konflikt me vëllëzërit sllavë, për interesat e tyre.
Profesori i Filozofisë në Universitetin e Beogradit, Millosh Koviq, ka thënë se vënia e sanksioneve ndaj Rusisë do të ishte “vetëvrasje kombëtare” e Serbisë.
Ai thotë, siç e citon Danasi, se nga shekulli i XVI, bashkëpunimi me Rusinë ka qenë kushti “themelor” për mbijetesën e popullit serb.
Në Beograd janë mbajtur disa herë tubime në përkrahje të Rusisë, duke e bërë Serbinë vendin e vetëm në botë që nderon Putinin, i cili po shihet nga shumica e botës si vrasës i civilëve ukrainas.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka marrë një kërcënim me vdekje në Instagram, që është bërë shkas për t’u bërë lajm në mediat e Beogradit.
Një përdorues i kësaj platforme nga Beogradi, që është prezantuar si ish-aktor dhe tekstshkrues i këngëve, ka publikuar një video duke bërë thirrje për vrasjen e Vuçiç.
Ai ka publikuar fotografi të kosës, që sipas B92 simbolizon vdekjen, me përshkrimin “Për Aleksandar Vuçiç”, të shoqëruar gjithashtu me një këngë të titulluar “Je i vdekur”.
“Je i vdekur, thika është e gjatë, nata është e ftohtë, në muzg vdekja do të të vijë te dera”, është teksti i kësaj kënge, transmeton Gazeta Express.
Sipas raportimeve, menjëherë pas kërcënimit, Prokuroria në Beograd ka urdhëruar organet e sigurisë që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, për ta identifikuar autorin e këtij krimi ndaj presidentit të Shtetit dhe për ta ndjekur atë. bw
Dje në fjalën e tij në Forumin Ekonomik në Greqi Kryeministri Kurti kërkoi që shteti helen ta njohë pavarësinë e Kosovës. Sot kryediplomati grek Nikos Dendias, ka takuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe zëvendësen e tij Donika Gërvalla në Delphi të Greqisë, raporton Gazeta Express.
Ministria e Jashtme greke ka shpërndarë disa fotografi nga takimi ku thuhet se është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik dhe procesin e dialogut me Serbinë.
“Takimi në margjina e Forumit Ekonomik Delphi mes Ministrit të Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe Ministres së Jashmte Donika Gërvalla. Diskutime në bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimet në dialogun Prishtinë-Beograd”, thuhet në njoftimin e MPJ-së greke.
Në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik që po mbahet në Delphi të Greqisë të premten, Kurti tha se njohja e Greqisë do mund t’i sillte Kosovës edhe njohje të reja nga vendet e tjera
“Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim të mirë me Greqinë, mes njerëzve të Kosovës dhe Greqisë, mes të dyja qeverive. Është vetëm një urë që duhet ta kalojmë. Është koha e duhur që Greqia ta njohë Kosovën. Para kësaj dhe veçanërisht pas njohjes, ne mund të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar. Mendoj se Greqia është lidere regjionale dhe mund ta ndihmojë Kosovë të marrë njohje të reja”, ka thënë Kurti.
Kurti u pyet edhe për vonesën e liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian për qytetarët e Kosovës.
“Njerëzit janë të frustruar nga vonesa, edhe unë vetë kam qenë kritik, por ne nuk kemi alternativë tjetër. Qasja jonë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”.
Si synim tjetër i Qeverisë të udhëhequr prej tij, Kurti ka thënë që është edhe anëtarësimi në NATO.
“Shpresojmë se mund të kontribuojmë në sigurinë e kontinentit duke u bërë anëtar të NATO-s”, ka deklaruar Kurti, i cili edhe një herë dënoi veprimet e Rusisë mbi Ukrainën.
Kryeministri Kurti po qëndron në Greqi nga e enjta dhe ka zhvilluar takime me Emisarin Special për dialogun Miroslav Lajcak dhe të dërguarin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Qeveria malazeze miratoi të premten një paketë sanksionesh kundër Federatës Ruse, për shkak të agresionit në Ukrainë.
“Sapo është miratuar një paketë masash kufizuese kundër Rusisë! Faleminderit të gjithë ministrave për bashkëpunimin!”, shkroi në rrjetin Twitter, Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili drejtoi mbledhjen e qeverisë në mungesë të kryeministrit Zdravko Krivokapiç, i cili ndodhet në një forum ekonomik në Greqi.
Sipas informacioneve jozyrtare nga qeveria, të gjithë ministrat e pranishëm ishin për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, përveç ministrit të Bujqësisë, Aleksandar Stijoviç, i cili abstenoi.
Ambasadorja amerikane në Malin e Zi, Judy Rising Reinke, përgëzoi qeverinë malazeze.
“Bravo! E rëndësishme të shohësh që vendi aleat, Mali i Zi u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian, të cilat janë të vendosur për të zvogëluar aftësitë e Rusisë që të financojë luftën e saj çnjerëzore, të padrejtë dhe të paprovokuar ndaj popullsisë së Ukrainës”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Miratimi i vendimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë nuk ishte në rendin e ditës së mbledhjes së sotme të Qeverisë, por zoti Abazoviq, duke përdorur rregulloren e punës, kërkoi ndryshimin e rendit të ditës, me çka u mundësua votimi i masave.
Komisioni për Sistemin Politik të Qeverisë, i kryesuar nga zoti Abazoviq, me 15 mars propozoi njëzëri një paketë sanksionesh kundër Rusisë, në pajtim me paketën e sanksioneve të Bashkimit Evropian.
Por më 17 mars mbledhja e qeverisë së Malit të Zi u ndërpre për shkak të mosmarrëveshjeve mbi procedurën e miratimit të vendimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Zëvendëskryeministri Abazoviq, tha pas ndërprerjes së mbledhjes se “gjithçka ishte në rregull derisa arritëm në pikat që kishin të bënin me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat kaluan në komisionet qeveritare. Erdhëm në një situatë që kryeministri propozoi përfundime të reja, që kishte për qëllim ta bënte të pakuptimtë vendimin për sanksionet. Ne nuk mund t’i bëjmë të pakuptimta këto gjëra në lidhje me reputacionin ndërkombëtar të Malit të Zi. Përfundimet ishin shumë të qarta dhe të harmonizuara me atë që miratoi Këshilli i Bashkimit Evropian, dhe gjithçka përtej kësaj nuk është as juridikisht e as politikisht e vlefshme”, tha zoti Abazoviq.
Lufta në Ukrainë i ka ndarë në dy grupe aktorët politikë në Mal të Zi.
Derisa pjesa më e madhe e zyrtarëve malazezë i mbështesin të gjitha veprimet e BE-së lidhur me luftën në Ukrainë, partitë pro-serbe dhe pro-ruse si dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi, nxisin një mbështetje të hapur për Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin.
Shenja “Ballkani i Hapur” shihet në pikën kufitare, Preshevë – Tabanoc.
Isuf Kadriu
Në hyrje të vendkalimit kufitar ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Preshevë-Tabanoc, është hapur një korsi e veçantë me mbishkrimin “Ballkani i hapur”, dedikuar transportuesve të kompanive nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, të cilët kanë statusin e subjektit të autorizuar afarist, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Financave të Serbisë, më 7 prill.
Marrëveshjet për njohjen e statusit të subjekteve ekonomike të autorizuara, bazuar në një deklaratë të mëparshme të Ministrisë së Financave të vitit 2021, lehtësojnë shumë kalimin e kufirit dhe sjellin përfitime tjera për disa kompani.
Ministri serb i Financave, Sinisha Mali, ka deklaruar se nisma e “Ballkanit të Hapur” synon të përshpejtojë ndjeshëm fluksin e mallrave dhe shërbimeve, të krijojë një treg të vetëm pune dhe kushte më të mira biznesi për kompanitë.
Ai tha se kjo detyrimisht do të çojë në një zhvillim më të shpejtë të ekonomisë dhe në një standard më të lartë të jetesës për qytetarët e vendeve nënshkruese të kësaj nisme.
“Kamionët nuk duhet të presin me orë të tëra në kufi, por të gjitha procedurat e nevojshme do të kryhen shpejt dhe me efikasitet. Në këtë mënyrë ne dëgjojmë zërin e ekonomisë dhe kontribuojmë në përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit ekonomik në vendin tonë”, tha Mali.
Ai po ashtu tha se në kuadër të kësaj nisme janë nënshkruar marrëveshje, të cilat përveç lehtësimit të tregtisë, duhet të kontribuojnë edhe në bashkëpunim në fushën e inspektimeve ushqimore, fitosanitare dhe veterinare.
Mali gjithashtu rikujtoi edhe marrëveshjen e arritur për një leje të vetme të punës ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Ne po zgjidhim çështjet që rëndojnë ekonominë, si pritjet në pikat kufitare, procedurat e ndërlikuara administrative, apo mungesa e fuqisë punëtore. Të gjitha këto janë gjëra që sjellin përfitime të shumta për të gjitha vendet anëtare të “Ballkanit të Hapur”, ka deklaruar Mali.
Çfarë është “Ballkani i Hapur”?
Iniciativa “Ballkani i Hapur”, që fillimisht u quajt “Mini-Shengeni”, u themelua në tetor të vitit 2019.
Më vonë, në Novi Sad të Serbisë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, firmosën një deklaratë me synim të krijimit të “Mini-Shengenit” ndërmjet tre vendet.
Në mbledhjet e delegacioneve të tyre, tri shtetet kanë vendosur që lëvizja e lirë e qytetarëve të bëhet me letërnjoftime dhe që nga 1 janari 2023 të hiqen kontrollet doganore.
Gjithashtu u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore.
Në dhjetor të vitit 2021 u nënshkrua marrëveshja që lehtëson marrjen e lejeve për punëtorët nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si dhe disa marrëveshje në fushën e inspektimit veterinar dhe fitosanitar.
Iniciatorët e “Ballkanit të Hapur” kanë përsëritur vazhdimisht se kjo nismë është “gjithëpërfshirëse” dhe u kanë bërë thirrje vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen, por Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, nuk e kanë parë me entuziazëm këtë ide.
Partitë politike në Kosovë, në pushtet dhe në opozitë, vlerësojnë se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme.
Përfaqësuesit politikë të Malit të Zi si dhe të Bosnje-Hercegovinës mbeten në qëndrimin se nuk duhet të bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë për rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Për shkak të pjesëmarrjes së ulët, asnjëra nga dy listat zgjedhore të pakicës shqiptare nga jugu i Serbisë nuk e kaloi pragun, kështu që shqiptarët nuk do të kenë përfaqësues të tyre në përbërjen e parlamentit të ri serb.
Sipas të dhënave të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar”, kryetar i të cilit është Shaip Kamberi, ka fituar 9,630 vota ose 0.26 për qind.
Tri herë më pak vota ka fituar lista “Alternativa Demokratike Shqiptare”, e udhëhequr nga ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, me gjithsej 3,250 sosh ose 0,09 për qind.
Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme të vitit 2020, kur partitë shqiptare u bashkuan në një listë, në këto zgjedhje ishin dy para votuesve.
Sipas analistëve, me një pjesëmarrje kaq të ulët që mund të krahasohet me bojkot, ky rezultat ishte i pritshëm dhe partitë humbën mundësinë për të fituar potencialisht dy ose tri mandate parlamentare me listën e vetme.
Regjistrimi zyrtar i kryer nga shteti në vitin 2011 tregon se rreth 6,000 shqiptarë jetojnë në Serbi, por kjo nuk është një pasqyrë reale sepse shqiptarët në pjesën jugore të Serbisë e bojkotuan regjistrimin në atë kohë.
Sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, rreth 60.000 pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare jetojnë në Serbi, kryesisht në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Serbinë jugore.
Beteja për dy vendet e para në listën zgjedhore
Nexhat Beluli, pronar i TV Spektri nga Bujanoci, konsideron se fiasko zgjedhore e partive politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare në Serbi është pasojë e drejtpërdrejtë e ndarjeve brenda trupit politik shqiptar dhe keqkuptimit të ndryshimeve në skenën politike serbe që kanë ndodhur në dy vitet e fundit.
“Për shkak se dihej se opozita në Serbi do të merrte pjesë në këto zgjedhje dhe se pjesëmarrja do të ishte më e madhe se në ato të mëparshme, ishte e qartë se për një mandat parlamentar do të duheshin 10 deri në 12 mijë vota. Prandaj, kësaj radhe një listë e vetme shqiptare është dashur më shumë se në zgjedhjet e kaluara parlamentare”, thotë Beluli për Radion Evropa e Lirë.
Listat e partive të pakicave kombëtare deri më tani kanë fituar mandate sipas “pragut natyror”, i cili është nën pragun prej tre për qind që u nevojitet partive të tjera. Nëse nuk e kalojnë atë prag, numri i deputetëve të partive minoritare përcaktohet duke aplikuar sistemin D’Ont, pra me koeficientin e të gjitha listave zgjedhore rritur për 35 për qind.
Në zgjedhjet e Serbisë të mbajtura më 3 prill morën pjesë tetë lista të minoriteteve dhe të dhënat preliminare tregojnë se hungarezët dhe boshnjakët do të kenë përfaqësuesit e tyre në parlamentin e ardhshëm.
Nexhat Beluli shton se marrëveshja ndërmjet shqiptarëve ka munguar për shkak se liderët e partive nuk kanë arritur të merren vesh për renditjen në listën e përbashkët dhe pozitën që u siguron atyre një mandat të sigurt prej deputeti.
Ai thekson se liderët politikë shqiptarë humbën mundësinë për të përsëritur rezultatin zgjedhor të arritur në vitin 2020, kur fituan tre mandate parlamentare, gjë që do t’u jepte atyre potencial të madh koalicioni dhe rëndësi politike që mund ta përdornin në të mirë të votuesve të tyre.
“Në të njëjtën kohë, nuk dua të them se ata do t’i kërkonin poste ministrore në qeveri apo sekretarë shtetërorë, por të ndikojnë në procesin e integrimit të shqiptarëve në institucionet vendore dhe përfaqësimin e tyre në Drejtësi, Polici, Dogana dhe institucione të tjera shtetërore. dhe trupat”, thotë Beluli.
Kandidatët pa përgjigje
Shaip Kamberi nga “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar”, dhe Sami Salihu, i dyti në listën “Alternativa Demokratike Shqiptare”, nuk i janë përgjigjur kërkesës së REL-it për deklaratë lidhur me rezultatin e dobët në zgjedhjet parlamentare.
Në një postim në Facebook më 5 prill, Kamberi kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Autoritetet në Serbi nuk i janë përgjigjur kësaj kërkese. Ai, po ashtu, ka thënë se këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të, siç tha, pasivizimit të adresave të shqiptarëve.
Autoritetet serbe kanë thënë se përmes kontrollit në terren kanë konstatuar se të gjithë ata që janë fshirë, nuk kanë vendbanim në territorin e Serbisë, gjë që është kusht për të votuar.
Në anën tjetër, Shqiprim Arifi në llogarinë e tij në Twitter, më 6 prill ka shkruar se mungesa e strategjive kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe mosinteresimi i tyre për Luginën e Preshevës, janë fajtorët kryesorë për rezultatet.
Çka kontribuoi në këtë rezultat?
Për faktin se liderët e partive shqiptare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjet e fundit, Kujtim Sadriu, drejtor i Qendrës joqeveritare për Monitorim dhe Hulumtim në Preshevë, tha se ata janë dënuar me meritë nga votuesit e tyre.
Sadriu thekson se përveç daljes jashtëzakonisht të ulët të votuesve në zgjedhje të “demotivuara nga përçarjet”, në dështimin e zgjedhjeve ka kontribuar edhe shteti dhe vetë kandidatët.
“Së pari, pjesëmarrja e ulët e votuesve është pasojë e ndarjes dhe daljes në votime në dy kolona. Problemi i dytë është se shumë qytetarë të Preshevës kanë adresa pasive, prandaj nuk kanë letërnjoftime, pa të cilat nuk mund të votojnë, dhe problemi i tretë është lodhja e qytetarëve nga premtimet e rrejshme dhe patriotizmi i rrejshëm”, thotë Sadriu.
Bashkëbiseduesi i Radios Evropa e Lirë beson se shqiptarët nuk kanë humbur pothuajse asgjë sepse, siç thotë ai, “edhe ata deri më tani nuk kanë bërë asgjë” për t’i zgjidhur problemet e tyre thelbësore.
“Para së gjithash, e kam fjalën për njohjen e diplomave nga Kosova, sepse ajo çështje gjoja është zgjidhur me Marrëveshjen e Brukselit, por Qeveria e Serbisë nuk e zbaton. Përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Serbisë asnjëherë nuk e kanë ngritur atë çështje”, thotë Sadriu dhe shton se këtë nuk e kanë bërë as deputetët shqiptarë në mbledhjen e kaluar.
“Shaip Kamberi nuk e ka ngritur çështjen e pasivizimit të adresave në Kuvendin e Serbisë, por në vend të së tashmes dhe së ardhmes është marrë me të kaluarën dhe ngritjen e tensioneve në nivel kombëtar. Qytetarët e shohin se këtu nuk po ndryshon asgjë dhe se politikanët vetëm po u premtojnë, po u premtojnë e nuk po përmbushin asgjë, prandaj edhe të dielën kanë qëndruar në shtëpi”, thotë Sadriu.
Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi, thotë se kombinimi i disa faktorëve çoi në një pjesëmarrje të ulët, që automatikisht nënkupton një numër më të vogël votash dhe në fund të fundit një numër më të vogël të deputetëve në Kuvendin e Serbisë.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se është e sigurt se përçarjet në elektoratin shqiptar i kanë demoralizuar pjesërisht votuesit, por thekson se ishte e pamundur të gjendet një kompromis mes dy koncepteve krejtësisht të ndryshme për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve nga kjo pjesë e Serbisë.
“Ishte e pamundur të pajtohej politika e këmbënguljes për të drejtat individuale dhe kolektive, të garantuara me marrëveshje ndërkombëtare, me politikën e palës tjetër, e cila, duke iu referuar faktit se këtu në 20-30 vjetët e fundit nuk është bërë asgjë për t’i përmirësuar standardet e njerëzve dhe cilësinë e jetës, një qasje shumë më pragmatike ndaj bashkëpunimit të mundshëm me autoritetet në Beograd”, shpjegon Mustafi për dallimet në pikëpamjet ndërmjet Shaip Kamberit dhe Shqiprim Arifit.
Në zgjedhjet parlamentare në Serbi të mbajtura më 21 qershor 2020, partitë kryesore shqiptare nga Bujanoci dhe Presheva u shfaqën në listën e përbashkët dhe fituan rreth 26.500 vota, ose tre ulëse në Kuvendin e Serbisë.
Frymëzuesi i idesë së pjesëmarrjes së përbashkët në zgjedhjet parlamentare ishte kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kurse realizues ministri i atëhershëm për Evropën dhe Punët të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.
Në Serbi sot do të mbahen zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në Beograd. Janë rreth 6 milionë e gjysmë të serbëve që do të kenë mundësi të votojnë.
Në këto zgjedhje të Serbisë, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit garojnë me dy lista dhe pretendojnë të kenë tre deri në katër deputetë.
Ndërkohë, është shkruar se vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Serbi, më shumë se 6,000 qytetarë shqiptarë që jetojnë në Serbi janë hequr nga listat e votuesve. Një veprim që aktivistët dhe studiuesit thonë se është për bërë për shkak se janë shqiptarë etnikë, shkruan Euractiv.
Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që serbët që jetojnë në vendin tonë të votojnë sikurse viteve të mëhershme, duke thënë se duan ta zbatojnë Kushtetutën e Kosovës. Serbëve iu është dhënë mundësia të votojnë në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, gjë që nuk është pranuar nga Beogradi, i cili ka caktuar dy qendra të votimit për serbët e Kosovës, atë në Rashkë dhe në qytetin e Bujanocit.
Mësohet se serbët nga disa qytete do të nisen drejt Serbisë me transport të organizuar por nga disa komuna ata do të udhëtojnë edhe me veturat e tyre. Mbrëmë u raportua se në Shillovë të Gjilanit grupe serbësh pritën në radhë për t’u furnizuar me naftë për të shkuar dhe votuar në Serbi.
Po ashtu, u tha se karburante falas u dhanë në një pikë të derivateve, ku u theksua se për këtë janë përdorur paratë nga fondi për trajtimin e fëmijëve të sëmurë.
Përndryshe, sondazhet thonë se Vuçiq mund të fitojë zgjedhjet presidenciale në raundin e parë. Ndërsa opozitës së përçarë i jepen shanse vetëm në kryeqytet, Beograd.
Opozita i ka bojkotuar në masë të madhe zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2020 për shkak të kushteve të padrejta. Tani pritet që disa koalcione të futen në parlament. Koalicioni Të Bashkuar për Serbinë (US), i përbërë nga një spektër i gjerë partish demokratike të qendrës së majtë dhe të djathtë, mund të marrë midis 15 – 20 për qind të votave. Kandidati i tyre presidencial, Zdravko Ponosh, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, mund të fitojë edhe më shumë vota. Aleanca e re e majtë-gjelbër “Moramo” mund të kalojë gjithashtu pragun prej tre për qind të votave dhe të futet në parlament.
Skena e djathtë nacionaliste, e cila kandidon me pesë kandidatë presidencialë dhe pesë lista, po kalon një kohë shumë më të vështirë. Është e vërtetë që shumë votues janë të hapur ndaj parullave patriotike dhe nacionaliste. Mbi 80 për qind e qytetarëve të vendit refuzojnë anëtarësimin e Serbisë në NATO dhe rreth dy të tretat e shohin Rusinë si partnerin më të rëndësishëm. Megjithatë, të djathtët dhe nacionalistët nuk kanë vërtet shanse të mira për të hyrë në parlament. /KosovaPress/
Ambasadori i ri i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, para pak minutash ka arritur në Aeroportin e Beogradit. Ai ka qenë i shoqëruar nga gruaja e tij, Julie Hill.
Diplomati amerikan pritet që të sjell një frymë të re në zhvillimet në Ballkan Perëndimor, sidomos në procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë pasi që ka qenë i involvuar në zhvillimet në rajon qysh në vitet e 90-ta.
Ardhja e tij si ambasador në Serbi kompleton edhe mozaikun e Administratës së Joe Biden në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Me Jeffrey Hovenier si ambasador në Prishtinë dhe Gabriel Escobar si i Dërguar i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor./GazetaExpress/
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka përuruar sot një seksion në hekurudhën e re Beograd-Budapest së bashku me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
Ajo që ra në sy në këtë përurim, është një video virale në rrjete sociale ku Vuçiç përshëndet me dorë jashtë trenit ku është i ulur së bashku me Orbanin, por jashtë nuk është askush.
Në këto pamje shihej se si Orban mbetet i çuditur teksa “kërkon” njerëzit jashtë. bw
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski, dhe ai i Bullgarisë, Kiril Petkov, besojnë se së shpejti mund të ketë marrëveshje mes dy vendeve për kapërcimin e kontestit, që do të çonte ne heqjen e vetos bullgare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit në Sofje të shefave të qeverive të shteteve të Evropës Juglindore, anëtare të NATO-s, Petkov tha se ka sinjale pozitive për kapërcimin e dallimeve për personalitetet historike dhe çështjet tjera dhe së shpejti mund të ketë marrëveshje.
Petkov tha se përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor e dikton edhe kriza që u shkaktua me luftën në Ukrainë.
“Maqedonia e Veriut e ka vendin në familjen e Bashkimit Evropian dhe Qeveria bullgare dëshiron që ajo të bëhet pjesë e saj sa më shpejt që të jetë e mundur. Të gjithë e dimë se kemi disa standarde që duhet të përmbushen si respektimi i të drejtave të pakicave dhe këtë e kemi diskutuar me Kovaçevskin, ndërsa në koordinim jemi edhe me partnerët evropianë. Ne presim dhe besojmë se së shpejti këtë do ta arrijmë. Pajtohem me vlerësimin se krizën, të cilën e kemi aktualisht, me luftën në Ukrainë, Ballkani Perëndimor duhet të jetë më stabil dhe rruga drejt një stabiliteti më të madh mund të arrihet me qasjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Kjo është e qartë dhe besojmë se kjo do të arrihet pasi kemi lajme të mira edhe për çështjet historike mes dy vendeve”, tha Petkov.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se procesi duhet të përshpejtohet pasi çdo vonesë, sipas tij, mund të thellojë pasigurinë, të rrisë mosbesimin e qytetarëve në BE, por edhe t’i nxisë forcat tjera që të rrisin ndikimin në rajon.
“Zgjerimi i BE-së po bëhet politikë e sigurisë pasi ngecjet në këtë proces krijojnë pasiguri plotësuese në rajon. Kemi tendenca negative apo përpjekje për ndikime të qëllimshme të palëve të treta. Shtyrja e nisjes së bisedimeve krijon dilema që mund të rezultojnë me uljen e besimit te qytetarët ndaj BE-së. Ne mbetemi të përkushtuar në ngritjen e raporteve të fqinjësisë së mirë. Detyra jonë mbetet që të fokusohemi në promovimin e vlerave dhe të forcimit të bashkëpunimit”, theksoi Kovaçevski.
Kryeministri maqedonas tha se në takimin me kryeministrat e shteteve të Evropës Juglindore, anëtare të NATO-s: kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ai i Rumanisë, Nikolae Çuka dhe ai i Bullgarisë, Kiril Petkov, edhe njëherë kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë duke i dhënë mbështetje sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Në këtë takim është biseduar për koordinimin mes këtyre shteteve për aspektet e energjetikës, sigurimin e gazit përmes Turqisë dhe Greqisë me qëllim uljen e varësisë nga gazi rus, sigurimin e ushqimit por edhe rritjen e kujdesit nga kërcënimeve. Kjo pasi sipas kryeministrit rumun, Nikolae Çuka, “agresioni rus në Ukrainë paraqet kërcenim për sigurinë e përgjithshme”, andaj edhe theksoi nevojën për rritjen e mirëbesimit përmes forcimit të bashkëpunimit mes këtyre shteteve me partnerët evropianë.
Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve për pushtetin vendor në Ulqin, koalicioni parazgjedhor, “Fillimi i ri”, i Partisë Demokratike dhe Alternativës Shqiptare si dhe tre partive të tjera, në mesin e tyre edhe Lëvizja Qytetare “URA” e mandatarit për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, fitoi 15 mandate në Kuvendin 33 vendesh të Ulqinit.
Ndërkaq, koalicioni i dy forcave politike shqiptare, Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Lidhjes Demokratike, fitoi 5 mandate, Forca e Re Demokratike, e cila ka dalë e vetme në këto zgjedhje fitoi 5 mandate, koalicioni i Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Milo Gjukanoviq me Partinë Boshnjake, 5 mandate dhe partia e spektrit politik malazez, Demokratët, fituan 2 mandate.
Gjithsej 5 lista zgjedhore morën pjesë në zgjedhjet e së dielës në komunën e Ulqinit, e banuar me shumicë shqiptare.
Në këtë komunë të drejtë vote kishin mbi 20 mijë banorë, por sipas raporteve të komisionit komunal të zgjedhjeve në Ulqin, vetëm rreth 55 për qind e tyre morën pjesë në votime.
Procesi zgjedhor, sipas zyrtarëve komunal dhe vëzhgueseve, ishte i qetë dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar. Ata thanë se edhe aspekti teknik i procesit zgjedhor ishte i rregullt dhe pa ndonjë shkelje procedurale.
Edhe në qytetin verior të Malit të Zi, Berane, u mbajtën zgjedhjet vendore por pjesëmarrja atje ishte më e madhe, rreth 70 për qind.
Në këtë komunë garuan 8 lista zgjedhore dhe lufta më e ashpër politike ishte mes Partisë Demokratike Socialiste të presidentit aktual të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe partive pro-serbe dhe pro-ruse, që po përpiqen ta ruajnë pushtetin në këtë komunë.
Sipas rezultateve paraprake koalicioni i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve fitoi më shumë vota dhe do të ketë 9 mandate në Kuvendin e ri të Beranes.
Menjëherë pas tyre rreshtohet Paria popullore Serbe me 7 mandate, ndërsa lista Për Ardhmërinë e Beranes (Fronti Demokratik) dhe Demokratët do të kenë nga gjashtë mandate.
Protesta të turpshme janë zhvilluar mbrëmë në Serbi kundër ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright, teksa sot shënohen 23 vite nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë.Me pankarta në duar qytetarët kanë protestuar duke thënë ‘Kosova është Serbi’, apo edhe ‘Madeleine digju në ferr’.
Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton. Ajo shërbeu si ambasadore e SHBA në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më e lartë e vendit në mandatin e dytë.
Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s, nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë.
Ajo u përpoq të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe luftoi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.
Madeleine Albright ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare pasi nuk mundi të fitojë betejën me kancerin. syri.net
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me serbët e Kosovës më 22 mars.
RFE/RL
Serbët e Kosovës do të votojnë në vendvotimet në komunat në Serbinë qendrore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe, deklaroi të martën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për shtyp.
Ai tha se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 3 prill, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”.
“Ne ramë dakord që të fusim ‘autoritetet qeverisëse’ [në kërkesë]…Ramë dakord që në paragrafin e dytë të fusim që të pyetet Kosova për bashkëpunim për të mundësuar OSBE-në… Madje në fund thamë të vendoset ‘Zyrtari ndërlidhës i Qeverisë së Serbisë’… Asgjë nga këto nuk iu mjaftuan sepse kërkuan vetëm një formulim – ‘Qeveria e Serbisë i lutet apo i kërkon Qeverinë e Kosovës’.
Natyrisht, ne kemi mundur t’i bëjmë të gjitha këto sepse jemi konsultuar me ekspertët tanë dhe e kemi ditur se kjo nuk nënkupton njohjen e Kosovës. Sepse Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ne pranuam kompromise të panumërta, gjëra të panumërta të pakuptimta, për të cilat ata këmbëngulën. Por, ata këmbëngulën dhe kërkuan vetëm një gjë, ajo ishte që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk mund ta pranonte këtë dhe Serbia nuk do ta pranojë këtë”, tha Vuçiq.
Ai tha se sot për herë të parë nuk ka pasur “aktivitete të dakorduara dhe të koordinuara” me serbët e Kosovës dhe se është befasuar nga “propozimet radikale” të tyre.
“I kam lutur që të kenë durim dhe të numërojmë deri në dhjetë”, theksoi Vuçiq.
Serbët e Kosovës, siç tha Vuçiq, kanë kërkuar që menjëherë të largohen nga të gjitha institucionet dhe që “435 policë t’i lënë armët dhe të braktisin policinë”.
Vuçiq theksoi se edhe “njerëzit nga jugu” u pajtuan me këtë “për herë të parë”, të udhëhequr nga zëvendëskryetari i Listës Serbe, njëherësh kreu i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq.
“Unë i pyeta, e bëjmë sot, por çfarë një ditë pas? Ne do të marrim barrën financiare, por të nesërmen kam frikë se mund të hyjmë në rrethin vicioz të konflikteve të luftës”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se u ka kërkuar përfaqësuesve serbë të Kosovës që bisedimet të vazhdojnë më 8-9 prill.
Vuçiq i bëri këto komente pas takimit më 22 mars me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Takimi pasoi njoftimin e BE-së se autoritetet në Kosovë e kanë refuzuar kërkesën e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë të 3 prillit.
Ndërkaq, nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha gjatë konferencës të përbashkët me Vuçiqin, se vendimi i autoriteteve të Kosovës është mohim i të drejtave të njeriut.
Ai tha se serbët do të protestojnë në jug dhe veri të Ibrit të premten lidhur me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Ndryshe, Vuçiq tha se sot është takuar edhe me ambasadorët e vendeve të Quint-it në Beograd, si dhe me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë.
Sot, po ashtu, është mbajtur edhe një seancë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ministrat e Mbrojtjes dhe të Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq dhe Aleksandar Vulin, ish-kryeparlamentari Ivica Daçiq, si dhe zyrtarë të tjerë dhe përfaqësues të strukturave të sigurisë.
Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, më 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.
“BE-ja ka vepruar si lehtësues, përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.
“Duke pranuar se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhjes, ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të Quint-it”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Detajet e propozimit të Qunt-it, ende nuk janë bërë të ditura.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë raportimit para një komisioni parlamentar, tha se ka paskatësi në konstatimin se Kosova ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë do të ishte jokushtetuese.
“Ne nuk kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është jokushtetuese. Por, mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovim të institucioneve të Kosovës, si instancë sovrane, pas një kërkese nga institucionet e Serbisë, është jokushtetuese”, tha Bislimi.
Ai po ashtu tha se edhe për praktikat e mëhershme për zgjedhjet serbe në Kosovë, ka “pajtim, konsensus të përgjithshëm ehde brenda Quint-it” se ato kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Përpjekjet e Quint-it kanë qenë që të gjejmë një modalitet i cili e tejkalon atë shkelje të Kushtetutës që ka ndodhur përpara”, tha Bislmi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën pas takimin me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.
Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.
Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.
Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.
Një zyrtar i lartë serb tha të martën se Beogradi nuk do të vendosë kurrë sanksione, ose nuk do t’i bashkohet “histerisë” perëndimore kundër Rusisë për sulmin e saj ndaj Ukrainës.
Ministri i Brendshëm i Serbisë Aleksandar Vulin tha se “Serbia nuk do të jetë kurrë pjesë e histerisë anti-ruse, sipas së cilës vidhet prona e qytetarëve rusë dhe prona e Federatës Ruse”. “Ne gjithashtu nuk do të ndalojmë mediat ruse”, tha ai.
Serbia është një aleat i fortë i Rusisë, megjithëse e ka dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës.
Serbia po kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por është i vetmi vend evropian që ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare ndaj Kremlinit.
Objekti, që u përplas në një zonë të gjelbër në Zagreb të enjten rreth orës 23, është një dron ushtarak i prodhimit sovjetik, i cili ka ardhur nga Rumania përmes Hungarisë në hapësirën e Kroacisë, njoftoi Qeveria kroate të premten.
Droni u rrëzua në afërsi të konviktit të studentëve “Stjepan Radiq”, në pjesën jugore të Zagrebit. Nuk ka të lënduar, ndërsa janë dëmtuar disa makina.
Në një konferencë për shtyp, presidenti kroat, Zoran Milanoviq, ka thënë se ky dron ka fluturuar mbi Kroaci rreth 7 minuta. Ai ka deklaruar se ky është “incident serioz” dhe se si i tillë edhe po trajtohet.
“Vlerësojmë se ky [droni], nuk ishte i drejtuar kundër Kroacisë dhe se bëhet fjalë për një incident”, ka thënë ai duke shtuar se megjithatë do të hetohet ngjarja.
Milanoviq ka bërë të ditur se droni është i madhësisë së aeroplanit dhe se peshon rreth 6 tonë.
“Mua më së shumti më intereson si është e mundur që një dron jo i sofistikuar të kalojë afër një orë në hapësirën ajrore të shteteve të NATO-s dhe askush të mos e vërejë atë”, ka thënë Milanoviq.
Presidenti Milanoviq tha se droni ka ardhur nga hapësira e Ukrainës dhe se është rrëzuar në Zagreb kur i është shpenzuar karburanti.
I pyetur se nëse vërtetohet se bëhet fjalë për një dron rus nën kontrollin e ukrainasve, a do të bisedojë me ukrainasit, apo ambasadorin për këtë çështje, presidenti Milanoviq deklaroi:
Atje është luftë dhe gjërat nuk janë nën kontroll. Për këtë askush nuk ëndërronte. Nuk ka të vdekur dhe të lënduar
“Mendoj se nuk ka nevojë. Atje është luftë dhe gjërat nuk janë nën kontroll. Për këtë askush nuk ëndërronte. Nuk ka të vdekur dhe të lënduar. Vetëm shpresoj që kjo më nuk do të ndodhë”.
Sipas të dhënave të deritashme, droni ka hyrë në hapësirën ajrore të Kroacisë, nga lindja në perëndim, pra nga hapësira ajrore hungareze me shpejtësi 700 kilometra në orë në lartësinë 1,300 metra, thuhej në deklaratën e Qeverisë së Kroacisë.
“Kam biseduar me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili më informoi se droni kishte hyrë në hapësirën ajrore hungareze prej Rumanisë”, tha kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, i cili po merr pjesë në një takim të liderëve të BE-së në Versajë të Francës.
“Sipas asaj që kemi tani si informacion, është një dron i prodhimit rus, nuk dihet nëse ka qenë në pronësi të ushtrisë ruse apo ukrainase. Dihet që ka ardhur në Kroaci nga Hungaria, dhe në Hungari nga Rumania. Dihet që ka fluturuar disa minuta mbi Kroaci dhe u rrëzua në Zagreb”, u tha Plankoviq gazetarëve.
Ai, po ashtu, tha se autoritetet në Kroaci e kanë kontaktuar Ukrainën nëse ajo ka informata se si ka ardhur ky dron deri në Zagreb.
Autoritetet kroate thanë se janë duke e hetuar këtë rast.
Dëshmitarët e cituar nga mediat kroate thanë se fillimisht dëgjuan një shpërthim të madh që tronditi tokën, më pas një erë të keqe.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se shteti i tij do të pezullojë eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit nga e enjtja e 10 marsit.
“Në dy ditët e fundit, eksporti i grurit dhe miellit është rritur aq shumë, saqë duhet ta ndalojmë”, tha Vuçiq të martën.
Duke folur për televizionin serb B92, Vuçiq tha se shteti do t’i subvencionojë derivatet për fermerët.
“Ne do të subvencionojmë që çmimi i euro-naftës në të gjitha pikat e karburantit të Industrisë së Naftës së Serbisë të mbetet së paku 179 dinarë [rreth 1.5 euro] për të paktën një muaj e gjysmë. Për të gjithë të tjerët do të ketë rritje minimale”, tha Vuçiq.
Vuçiq shtoi se Serbia është në pritje të vendimit të Bashkimit Evropian për importin e energjisë nga Rusia.
Shtetet e Bashkuara e ndaluan atë të martën, si ndëshkim për Rusinë, e cila ka pushtuar Ukrainën.
“Nëse vendimi është që të ndalohet importi i të gjitha burimeve të energjisë nga Rusia, atëherë edhe ne jemi në telashe. Nuk kemi ku t’i marrim, nafta dhe gazi nuk mund të bien nga qielli”, tha Vuçiq.
Duke folur për gjendjen e rezervave të mallrave të Serbisë, më 2 mars, Vuçiq ka thënë se Serbia është e përgatitur për së paku dy muajt e ardhshëm.
Kosova, gjatë vitit 2021, ka importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia – nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut, Hungaria.
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt, Serbia ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës, por nuk u është bashkuar sanksioneve që BE-ja ka vendosur kundër Moskës.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të shpallë armëpushim në Ukrainë, të hapë korridoret humanitare dhe të nënshkruajë një marrëveshje paqeje, ka njoftuar zyra e presidentit turk.
Pas një telefonate njëorëshe, presidenca turke përmes një deklarate njoftoi se Erdogan i tha Putinit se Turqia është e gatshme të kontribuojë në një zgjidhje paqësore të konfliktit.
Sipas deklaratës, Erdogan tha se një armëpushim do të lehtësonte situatën humanitare.
“Presidenti Erdogan filloi bisedën me fjalinë: “le të hapim rrugën për paqen së bashku”, thuhet në deklaratën për media.
“Erdogan theksoi rëndësinë e ndërmarrjes së hapave urgjente për arritjen e një armëpushimi, hapjen e korridoreve humanitare dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje”, thuhet më tej në deklaratë.
Të dy krerët e shteteve, diskutuan gjithashtu edhe për bashkëpunimin ndërmjet Rusisë dhe Turqisë.
Më herët, presidenti Erdogan, ka thënë se sulmi rus në Ukrainë “është i papranueshëm”, mirëpo shteti i tij nuk do t’i kthejë shpinën asnjërit shtet, pasi me të dyja vendet ka lidhje të forta.
Mali i Zi është i gatshëm t’i zgjerojë sanksionet kundër Rusisë për të mbështetur deri në fund politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, tha të shtunën zëvendëskryeministri dhe mandatari për qeverinë e re të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në një bisedë telefonike me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Sipas një deklarate të qeverisë së Malit të Zi, zoti Abazoviç dhe zoti Escobar shkëmbyen mendime për ngjarjet aktuale në Ukrainë dhe vlerësuan si thelbësore që vendet e Ballkanit Perëndimor të tregojnë vendosmëri në mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe të qëndrojnë deri në fund së bashku me aleatët e tyre në BE dhe NATO.
“Mali i Zi është i gatshëm të zgjerojë gamën e sanksioneve për të ndjekur deri në fund politikën e jashtme të BE-së. Ne do të monitorojmë situatën me oligarkët rusë dhe do të marrim të gjitha masat në përputhje me ligjin nëse ata vijnë në Mal të Zi. Për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të vendit, ne po kryejmë aktivitete që synojnë luftimin e ndikimeve në Mal të Zi, të cilat më parë rezultuan me dëbimin e një diplomati rus nga Ministria e Jashtme”, tha zv/kryeministri Abazoviç sipas njoftimit.
Ai po ashtu ka thënë se Mali i Zi do të dërgojë ndihmë shtesë humanitare dhe financiare, por edhe ndihmë ushtarake, sapo të përfundojnë proceset e brendshme në vend.
Një ditë më parë Ministria e Jashtme Malit të Zi njoftoi se kishte shpallur person të padëshiruar një diplomat të Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë.
Personi në fjalë është Viktor Antipin, oficer i zbulimit dhe punonjës i Shërbimit Informativ rus.
Antipin, sipas njoftimit të Agjensisë së Sigurimit të Malit të Zi, u takua me përfaqësuesit politikë të Frontit Demokratik, e njohur si parti pro-ruse.
“Arsyeja e marrjes së këtij vendimi është vlerësimi i organeve përkatëse të sigurisë në Mal të Zi për aktivitetet e diplomatit rus, të cilat janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi.
Mali i Zi, vitet e fundit ishte në shënjestrën politike të Serbisë dhe Rusisë, të cilët bënë përpjekje për një grusht shteti në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 për ta parandaluar këtë vend ballkanik të anëtarësohet në NATO.
Gjykimi për grusht shteti në Mal të Zi u cilësua si “gjykimi i shekullit” për shkak të përfshirjes së agjencisë ruse të sigurimit shtetëror në komplotin e dyshuar.
Qytetarë të shumtë serbë kanë dalë për të protestuar në mbështetje të Rusisë, pasi presidenti serb Aleksandër Vuçiq nuk e përkrahu pushtimin rus ndaj Ukrainës. Protestuesit janë mbledhur në afërsi të Presidencës së Serbisë, e duke kënduar mesazhe mbështetjeje për Rusinë, e cila filloi pushtimin e Ukrainës të enjten e kaluar.
Disa skena janë parë sonte në Beograd, ku protestuesit e kanë përdhosur flamurin e Bashkimit Evropian, duke e shkelur atë. Këto janë shpërndarë në rrjetin social Twitter.
Kujtojmë së Serbia është i vetmi vend evropian që ka refuzuar thirrjet e BE-së për sanksione ndaj Rusisë. Express
Qytetarë serbë kanë marshuar në Beograd të premten duke valëvitur flamuj rusë dhe duke mbajtur fotografi të presidentit Vladimir Putin, në një shfaqje të rrallë të mbështetjes publike për Moskën pas sulmit të saj në Ukrainë.
Serbia po kryen një akt delikat balancues midis aspiratave të saj evropiane, partneritetit me NATO-n dhe aleancës së saj shekullore fetare, etnike dhe politike me Rusinë.
Për shumë serbë të zakonshëm, kujtimi i bombardimeve të NATO-s ndaj objektivave strategjikë në Serbi për t’i dhënë fund luftërave ballkanike të viteve 1990 është ende shumë i freskët, një veprim që u kundërshtua ashpër nga Rusia në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili përballet me zgjedhjet muajin e ardhshëm, në të cilat duhet të ruajë mbështetjen e qytetarëve me prirje ruse, ka theksuar në ditët e fundit në mënyrë të përsëritur mbështetjen për Moskën në Kombet e Bashkuara, ku ajo ka refuzuar të njohë pavarësinë e Kosovës.
Para fillimit të marshimit, rreth 2,000 njerëz u mblodhën pranë ndërtesës së presidencës në Beogradin qendror, duke intonuar himnet ruse dhe serbe dhe duke përshëndetur të dy vendet si kombe vëllezër përpara një monumenti të Carit rus Nikolla II.
Midis tyre ishin anëtarë lokalë të klubit të motoçikletave “Ujqërit e natës” të Rusisë, të njohur për lidhje të ngushta me Putinin dhe me një histori luftimesh në Ukrainë në anën e separatistëve pro-rusë gjatë krizës së Krimesë në vitin 2014 dhe luftës mbi rajonin e Donbasit.
Pikëpamjet politike të shumë njerëzve në Serbi janë formuar nga tabloidet e afërta me Vuçiqin, të cilat i kanë bërë jehonë pikëpamjes së Moskës për luftën në Ukrainë, me një nga titujt që thoshte “Ukraina sulmoi Rusinë!” në ditën e parë të pushtimit.
Por ka gjithashtu mbështetje për Ukrainën, me dhjetëra që protestuan kundër pushtimit rus përpara ambasadës së saj në fillim të kësaj jave dhe më shumë ngjarje që priten gjatë fundjavës.
Rusia i quan veprimet e saj një ‘operacion special’ i krijuar jo për të pushtuar territore, por për të shkatërruar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj dhe për të kapur ata që ajo i konsideron si nacionalistë të rrezikshëm.
Më herët të premten, Vuçiç i tha ambasadorit të Ukrainës në Serbi se Beogradi respekton ligjin ndërkombëtar dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe se është i gatshëm të ofrojë ndihmë humanitare dhe të pranojë refugjatë.
Serbia, e cila mbështetet tek Moska për nevojat e saj energjetike, iu bashkua gjithashtu dënimit të sulmit të Rusisë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, por ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Moskës.
Vuçiq ka thënë se vendi është nën presion të madh për të harmonizuar politikën e tij të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, të cilit synon t’i bashkohet.
Air Serbia vazhdon të ketë fluturime midis Beogradit dhe Moskës, madje duke shtuar kapacitetin pasi BE-ja dhe Rusia vendosën ndalesa të hapësirës ajrore.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka njoftuar se mandatin për formimin e qeverisë i jep liderit të Lëvizjes Qytetare (GP) URA, Dritan Abazoviç.
Gjukanoviç dhe Abazoviç janë takuar më herët gjatë ditës së sotme, mëson “Vijesti”, kur presidenti i Malit të Zi e ka njoftuar zëvendëskryeministrin se i ka përfunduar konsultimet dhe se ka ndërmend ta japë mandatin.
“Përfaqësuesit e GP URA dhe partnerët e tyre politikë më kanë bindur pa mëdyshje se kanë shumicë parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së 43-të të Malit të Zi në Parlamentin e Malit të Zi”, tha presidenti.
Ai shton se partitë tjera parlamentare nuk kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në konsultime për këtë temë. bw
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i është adresuar Serbisë për të komentuar zhvillimet e fundit botërore pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën.
Ai ka thënë se shteti i tij tani gjendet në pozitë të vështirë, pasi që sipas tij nuk ka “mirëkuptim” për pozitën e serbëve në botë.
“Në skenën botërore kanë ndodhur ndryshime tektonike dhe Serbia është në një situatë jashtëzakonisht të vështirë dhe ka më pak mirëkuptim se kurrë për pozitën e Serbisë dhe popullit tonë kudo në botë. Pothuajse nuk ka asnjë përfaqësues të vendeve të mëdha me të cilin nuk kemi biseduar”, tha ai, raporton B92.
Ai ka parashikuar shtimin e presionit mbi shtetin e tij nga fuqitë perëndimore.
“Kam biseduar personalisht me përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së, me Ursula von der Layen, me presidentët e Francës dhe Gjermanisë. Kam shkëmbyer mesazhe me krerët e Këshillit Evropian, për votat tona dhe gjithçka tjetër. Serbia po përballet me një presion të madh dhe me faktin se pak njerëz duan të dëgjojnë argumentin tuaj, atëherë e keni të qartë se sa e vështirë është pozita jonë. Unë mendoj se ky është vetëm fillimi, presioni mbi vendin tonë do të jetë i madh në periudhën e ardhshme. Pres që në periudhën e ardhshme të ketë disa kurthe për Serbinë. E patë që shqiptarët aplikuan për anëtarësim në NATO, e patë që morën mbështetjen e një force si Turqia”, tha ai.
Vuçiq ka folur edhe për shtetin e Kosovës, për të cilin ai thotë se do të pranohet në OKB pas zhvillimeve të fundit. Ai ka shtuar se Rezolutës 1244 do t’i vije fundi.
“Disa nga iniciativat e ardhshme do të jenë përjashtimi i Rusisë nga OKB-ja. Ata planifikojnë të nisin një mosmarrëveshje në bazë të nenit 6. Pastaj hap derën për ndryshimin e Rezolutës 1244, pas së cilës nuk kemi më bazë ligjore dhe do të pasojë njohja e pavarësisë së Kosovës”, tha ai.
“Pjesa e dytë e problemit vijon duke rrezikuar më tej interesat ekonomike të Serbisë. Serbia ka mbajtur qëndrimin e saj edhe në ditët e kaluara. Nga gjithsej 13 akte votuam për 4, nuk votuam për nëntë. Këto janë deklarata që nënkuptonin duke vendosur sanksione të ndryshme ndaj Rusisë. Ne i jemi bashkuar gjithmonë dënimit të integritetit të Ukrainës, ne besojmë se ky është pozicioni përgjegjës i Serbisë. Pozicioni ynë do të jetë edhe më i vështirë sepse ekonomia jonë po rritet më shpejt në rajon dhe në Evropë”, shtoi ai.
Kur Turqia i kërkoi Rusisë që të mos dërgonte tri anije luftarake në Detin e Zi ditët e fundit, Rusia tërhoqi kërkesën e saj për ta bërë këtë, tha kryediplomati i vendit të martën vonë, duke ilustruar pozicionin delikat të Turqisë ndërsa ajo përpiqet të ecë në një vijë të hollë midis Ukrainës dhe Rusisë.
Turqia, një anëtare e NATO-s që ka marrëdhënie të forta ushtarake dhe ekonomike me të dy vendet, i ka kërkuar Moskës të ndalojë agresionin e saj, por nuk e ka ndjekur Perëndimin në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës. Turqia tashmë po përpiqet të vlerësojë dëmin e mundshëm të sanksioneve në ekonominë e saj, raporton New York Times.
Turqia mbikëqyr hyrjen në Detin e Zi përmes një traktati të vitit 1936 që rregullon anijet detare që kalojnë nëpër ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve. Pakti, Traktati i Montreux, i jep Turqisë të drejtën për të ndaluar anijet e palëve ndërluftuese të hyjnë në Detin e Zi, përveç nëse baza e tyre e origjinës është atje.
“Ne, në një mënyrë miqësore, i thamë Rusisë që të mos i dërgonte anijet”, tha ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu për transmetuesin Haber Turk duke i’u referuar incidentit të fundit. “Dhe Rusia na tha se anijet nuk do të kalonin nëpër ngushticat.”
Kërkesa nga Rusia, e cila erdhi të dielën dhe të hënën, kishte të bënte me katër anije luftarake, tha zoti Cavusoglu. Vetëm një ishte regjistruar në një bazë të Detit të Zi dhe për këtë arsye kishte të drejtë të kalonte, sipas informacionit që kishte Turqia.
Por Rusia e tërhoqi kërkesën e saj për të katër anijet dhe Turqia informoi zyrtarisht të gjitha palët në Traktatin e Montreux se Rusia e kishte bërë këtë, sipas z. Cavusoglu.
Ai theksoi se Turqia zbaton rregullat e traktatit për të dyja palët e konfliktit, ashtu siç kërkon marrëveshja.
“Tani për tani ka dy palë në luftë, Ukraina dhe Rusia,” tha ai. “As Rusia dhe as të tjerët nuk duhet të ofendohen këtu. Ne do të aplikojmë Montreux sot, nesër, për aq kohë sa të qëndrojë.”
VOAL- Presidenti serb Aleksandër Vuçiq konfirmoi qëndrimin e Beogradit kundër sanksioneve kundër Rusisë për ndërhyrjen e saj ushtarake në Ukrainë.Për çdo gjë që ka të bëjë me shkeljen e integritetit territorial, Serbia i përmbahet dënimeve, por sa i përket vendosjes së sanksioneve, Serbia nuk respekton, tha Vuçiq duke folur në margjinat e ceremonisë për fillimin e punimeve në një seksion të ri të autostradës së planifikuar ndërmjet Beogradi dhe Sarajeva.Kjo situatë, shtoi ai, do të mbetet për aq kohë sa ai të jetë president, nëse pas zgjedhjeve të 3 prillit bëhet një tjetër president, situata mund të ndryshojë. rsi-eb
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Turqia do të përdorë autoritetin e dhënë nga Konventa e Montreux-it e vitit 1936 për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës Rusi-Ukrainë
Ankara
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Turqia do të përdorë autoritetin e dhënë nga Konventa e Montreux-it e vitit 1936 për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës Rusi-Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Turqia nuk mund të braktisë lidhjet e saj me Rusinë apo Ukrainën , duke shtuar se Ankaraja do të zbatojë një pakt për kalimin detar nga ngushticat e saj për të parandaluar një përshkallëzim të luftës.
Turqia e përshkroi pushtimin e Rusisë si një “luftë” të dielën, e cila e lejoi atë të përdorte nenet sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare të vitit 1936 që do të kufizonte kalimin e disa anijeve ruse nga ngushticat turke. Turqia ndan një kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë dhe ka lidhje të mira me të dyja.
Duke folur pas një takimi të kabinetit, Erdogan kritikoi atë që ai e quajti qëndrimin “të pavendosur” të SHBA-së dhe fuqive perëndimore ndaj pushtimit të Ukrainës, duke thënë se qasja ishte një shenjë e një rendi ndërkombëtar të dështuar.
Ai tha se Turqia nuk do të bëjë kompromis nga angazhimet e saj ndaj aleancave të saj, duke përfshirë NATO-n, por se gjithashtu nuk mund të kthejë mbrapsht “interesat kombëtare” në rajonin e saj. Ai përsëriti se e konsideronte pushtimin rus të papranueshëm.
Hungaria nuk do të bllokojë asnjë sanksion kundër Rusisë, përfshirë dhe sistemin global të pagesave SWIFT , tha të shtunën në një deklaratë Ministri i Jashtëm, Péter Szijjártó.
Szijjártó iu përgjigj pretendimeve të fundit se Hungaria do të kundërshtonte sanksionet kundër Kremlinit për pushtimin e Ukrainës.
“Jam i pikëlluar dhe i tronditur kur shoh se disa përfaqësues të politikës ndërkombëtare dhe shtypit ndërkombëtar guxojnë të fabrikojnë lajme të rreme dhe gënjeshtra”, tha Szijjártó në deklaratë, duke konfirmuar se Hungaria “asnjëherë nuk ka bllokuar asnjë propozim sanksionesh”.
Bashkimi Evropian njoftoi të premten sanksione të reja kundër Rusisë.
Blloku ka miratuar paketën “më të fortë” të sanksioneve ndonjëherë kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës, tha të shtunën në Tëitter zëvendës-zëdhënësja e Komisionit të BE-së, Dana Spinant. syri.net
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se do ta dënonte njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste në lindje të Ukrainë nga Rusia, kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy të “dënojë bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999”.
“Serbia gjithmonë ka mbështetur integritetin e Ukrainës dhe nuk ka pasur ndryshime”, tha Vuçiq për Pink TV gjatë vizitës në Monako.
Ai iu kundërpërgjigj deklaratës së ambasadorit të Ukrainës në Serbi, Oleksandr Alexandrovich, i cili tha se populli ukrainas pret që Serbia të dënojë lëvizjen e Rusisë për të njohur Donjeckun dhe Luhanskun si entitete të pavarura.
Bombardimet e NATO-s ndaj caqeve serbe kishin filluar pas dështimit të negociatave për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të mbajtura në Rambuje dhe Paris në shkurt dhe mars 1999.
Sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake nisën më 24 mars të vitit 1999 dhe zgjatën për 78 ditë. Kjo ndërhyrje i dha fund luftës në Kosovë.
Ndryshe, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë dënuar vendimin e Rusisë për të njohur dy rajonet separatiste në lindje të Ukrainës. Vetëm lideri serb i Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, nuk e ka dënuar këtë veprim të Rusisë dhe ka thënë se shteti i tij duhet të qëndrojë neutral ndaj zhvillimeve në Ukrainë.
Ndërsa sytë janë drejtuar nga sulmi i mundshëm i Rusisë mbi Ukrainën, presidenti rus, Vladimir Putin, po dërgon këshilltarin e tij të lartë të sigurisë në Ballkan, ku Moska është përpjekur të ruajë ndikimin kryesisht përmes aleatit të saj Serbisë.
Mediat proqeveritare në Serbi, thanë të hënën se Nikolai Patrushev, sekretari i fuqishëm i Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, do të mbërrijë në Beograd në ditët në vijim, për bisedime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Moska nuk ka dhënë asnjë njoftim për udhëtimin e Patrushevit.
Bisedimet thuhet se do të përqendrohen në pretendimet e Moskës se “mercenarët” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja po dërgohen për të luftuar përkrah forcave ukrainase kundër kryengritësve pro-rusë, mes frikës së një sulmi të Rusisë mbi vendin fqinj.
Zyrtarët nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja, i kanë hedhur poshtë këto pretendime të ngritura javën e kaluar nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
“Ka informacione se janë duke u rekrutuar mercenarë në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë, për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë dhe për t’i dërguar në vende si Donbasi”, tha ministri Lavrov sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, duke iu referuar territorit të kontrolluar nga rebelët në lindje të Ukrainës. “Tani po i verifikojmë këto informata”, tha ai.
Presidenti serb Vuçiç, mbajti të hënën një takim të zyrtarëve të lartë të sigurisë së Serbisë, të cilët thuhet se diskutuan gjithashtu, raportet mbi “mercenarët” nga Ballkani që shkojnë në Ukrainë.
Dhjetëra luftëtarë serbë kanë luftuar në të kaluarën në Ukrainën lindore, por në anën e kryengritësve pro-rusë.
Serbia ka deklaruar zyrtarisht qasjen neutrale në përplasjen Rusi-Ukrainë, që kërcënon një luftë të madhe në Evropë. Megjithatë, media e kontrolluar nga shteti i Serbisë po mbështet drejtpërdrejt Moskën, duke transmetuar propagandën ruse pa asnjë diskutim.
Ndonëse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Serbia ka refuzuar të harmonizojë politikat e saj të jashtme me bllokun 27-vendesh dhe në vend të kësaj, ka forcuar lidhjet e saj politike, ekonomike dhe ushtarake me Rusinë dhe Kinën.
Presidenti Vuçiç, gjithnjë e më autokratik, i cili përballet me zgjedhjet e përgjithshme të 3 prillit, hapi fushatën e tij fundjavën e kaluar duke deklaruar se për sa kohë që ai të jetë në pushtet, Serbia nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO dhe do të mbajë lidhjet e saj të ngushta me Moskën dhe Pekinin.
Si për të ilustruar lidhjet në rritje mes dy aleatëve sllavë, Serbia dhe Rusia kanë formuar kohët e fundit një “grup pune” të ngarkuar me luftimin e revoltave popullore, të njohura si “revolucione me ngjyra”, që zyrtarët e lartë të sigurisë së dy vendeve i përshkruan si instrumente të perëndimit për të destabilizuar “shtetet e lira”.
Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Kremlinin për ndikim “malinj” në Ballkan, duke ndihmuar në nxitjen e një valë nacionalizmi që kërcënon të zhbëjë paqen në Bosnje pas luftës së saj të viteve 1992-95, të rindezë konfliktin e armatosur rreth Kosovës që u pavarësua nga Serbia në vitin 2008 dhe të nxisë probleme politike në vendet anëtare të NATO-s, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Moska i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime, megjithëse pohon se Bosnja, Serbia dhe Kosova, nuk duhet të anëtarësohen kurrë në NATO.
Bosnja është në mes të një krize politike. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian diskutuan të hënën në Bruksel për të kërkuar rrugët e ukjes së tensioneve dhe parandalimin e shpërbërjes së mundshme të vendit të ndarë etnikisht ballkanik. Serbët e Bosnjës, të cilët kanë mbështetjen e Serbisë dhe Rusisë, po kërcënojnë të ndahen nga federata.
NATO ka thënë se përmes procesit të zgjerimit të kësaj aleance ushtarake nuk u bëhet presion shteteve të caktuara që të bëhen anëtare, porse zgjerimi më shumë është një proces i bazuar në parimin e “dyerve të hapura” për të gjithë ata që duan të anëtarësohen dhe janë të gatshëm t’i përmbushin kriteret.
Rusia ka thënë se fundmi se procesi i zgjerimit të NATO-s është shembull i agresivitetit dhe rritjes së sferës së interesave në dëm të Rusisë.
Këto akuza Moska po i bën në kohën kur ka grumbulluar mbi 100,000 trupa përgjatë kufijve të Ukrainës dhe po kërkon që Kievi të mos bëhet kurrë pjesë e aleancës ushtarake. Ky grumbullim, nga Perëndimi po shihet si përgatitje e Kremlinit për ta pushtuar Ukrainën.
Duke iu përgjigjur akuzave të Moskës, NATO ka thënë se rajoni i Ballkanit Perëndimor është shembull i suksesit të politikës së “dyerve të hapura”.
Shtetet e Ballkanit, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë shfaqur aspirata për anëtarësim, i kanë përmbushur kriteret dhe tani janë anëtare të aleancës.
Por Serbia, e cila ka vendosur që të mos bëhet anëtare, sipas aleancës, nuk detyrohet që ta ndërrojë mendjen. Së voni, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përsëritur qëndrimin e tij se respekton vendimin e Beogradit për neutralitet ushtarak.
Stoltenberg ka thënë se NATO-ja nuk i detyron shtetet që t’i bashkohen aleancës, por i mban të hapura dyert për shtetet që me vullnetin dhe vendimin e tyre sovran, pa ndërhyrje nga askush, vendosin që të anëtarësohen.
Për shkak të kësaj politike, NATO ka hedhur poshtë kërkesën e Rusisë që, përveç mosanëtarësimit të Ukrainës në NATO, kjo e fundit të mos zgjerohet drejt lindjes.
Në ueb-faqen e NATO-s janë publikuar disa sqarime që kanë për qëllim të hedhin poshtë pretendimet e Moskës. Mes tjerash, aleanca ka përsëritur se asnjëherë nuk ka pasur garanci se ajo nuk do të zgjerohet.
Aktualisht, janë tri shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, që nuk janë anëtare të NATO-s, por këto tri shtete kanë specifikat e veta.
Serbia ka vendosur që të mos bëhet anëtare e NATO-s, por ajo është partnere e kësaj aleance. Beogradi është i përfshirë në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe bashkëpunon me aleancën.
Si një prej 20 shteteve të Partneritetit për Paqe, Serbia është edhe anëtare e Këshillit të Bashkëpunimit Euro-Atlantik (EAPC), që ka 50 shtete anëtare. Ky është një forum i bashkëpunimit politik mes 30 shteteve të NATO-s dhe 20 shteteve të Partneritetit për Paqe. Në këtë këshill, anëtare janë edhe Rusia dhe Ukraina.
Edhe Bosnje e Hercegovina është anëtare e Partneritetit për Paqe, ndërsa NATO në këtë shtet ka një rol shtesë përmes misionit të saj. Sarajeva ka nisur me NATO-n edhe të ashtuquajturin Plan të Veprimit për Anëtarësim, që në aleancë njihet me akronimin MAP.
Por, për shkak të përbërjeve të brendshme politike, Bosnje e Hercegovina ende nuk e ka aq të qartë qëndrimin sa i përket anëtarësimit në NATO në të ardhmen. Anëtarësimin në aleancë publikisht e kundërshton udhëheqja në entitetin e Republikës Sërpska.
Në raportet formale me NATO-n, pengesa më të mëdha sa i përket mundësisë së integrimit i ka Kosova. Në Kosovë, NATO ka misionin e vet ushtarak dhe në këtë shtet aleanca kishte ndërhyrë për t’i dhënë fund luftës dhe spastrimit etnik nga Serbia, më 1999.
Për shkak se katër shtete anëtare të NATO-s – Greqia, Rumania, Spanja dhe Sllovakia – ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Prishtina nuk ka mundur që të nisë formalisht rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit.
Por Kosova vazhdimisht shpreh vullnetin dhe gatishmërinë që të bëhet anëtare e NATO-s, duke ndjekur rrugëtimin sikurse vendet tjera, pra duke nisur prej Partneritetit për Paqe deri tek anëtarësimi i plotë.
“Kemi pengesa formale, por kemi gjetur disa mënyra për t’i ndihmuar Kosovës që gradualisht të përgatitet për integrim. Kjo bëhet përmes angazhimit individual të disa vendeve anëtare, aty ku NATO nuk mund të angazhohet kolektivisht”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i një shteti të NATO-s.
Ky diplomat, si shembull ka përmendur ndihmën që disa shtete, si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Kroacia e të tjera, i japin Kosovës për ta ngritur ushtrinë e saj.
Ushtria ka qenë një temë mjaft e ndjeshme, pasi NATO nuk e kishte mbështetur vendimin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, duke argumentuar se një “transformim i tillë nuk është bërë sipas rregullave ekzistuese”.
Më 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshmet ligjore për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, proces ky që pritet të zgjasë dhjetë vjet.
Kosova është ftuar në cilësinë e shtetit vëzhgues edhe në nismën e Kartës së Adriatikut. Kjo nismë e SHBA-së fillimisht ishte menduar për të ndihmuar Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë, që të përgatiten për anëtarësimin në NATO, por të njëjtën ndihmë Uashingtoni më pas ia ka ofruar edhe Malit të Zi, që po ashtu është anëtarësuar në NATO.
Në Kartën e Adriatikut bëjnë pjesë edhe anëtarët e NATO-s, siç janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Mali i Zi. Por, në këtë nismë të SHBA-së është anëtare edhe Bosnja e Hercegovina, ndërkaq Kosova, në cilësinë e shtetit vëzhgues, ftohet shpesh edhe në takime e ushtrime të përbashkëta. Po ashtu, kjo nismë është e hapur edhe për Serbinë, si shtet në cilësinë e vëzhguesit.
Ka pasur kritika edhe ndaj Bashkimit Evropian se “në mënyrë indirekte ka kushtëzuar shtetet e Evropës Lindore që së pari të anëtarësohen në NATO e më pas në BE”. Por blloku evropian i ka hedhur poshtë këto akuza.
“Është fakt se deri në këtë moment, të gjitha vendet e Evropës Lindore kanë hyrë paralelisht në NATO dhe BE, prandaj edhe procesi është quajtur ‘integrime euro-atlantike’. Por, ky nuk ka qenë asnjëherë kusht. Vetë ato shtete kanë menduar se NATO-ja u ofron siguri dhe stabilitet e BE-ja vlerë shtesë si prosperitet”, ka thënë një diplomat i BE-së.
Ky diplomat po ashtu ka përmendur Serbinë, që ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, por që nuk ka aspirata për anëtarësim në NATO.
Madje, diplomatët në Bruksel kanë theksuar se “Serbia në negociatat me BE-në është para Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat tashmë janë anëtare të NATO-s”.
Pa marrë parasysh se nëse shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të anëtarësuara në NATO apo jo, aleanca ka thënë se është e përkushtuar për stabilitetin dhe prosperitetin e shteteve të Ballkanit. Në selinë e NATO-s kanë përsëritur qëndrimin se u takon shteteve që të vendosin nëse duan të bëhen anëtare dhe nëse kanë aspirata të tilla dhe i përmbushin kriteret, dyert e aleancës do të jenë të hapura.
Në një debat televiziv, shkrimtarja serbe, Biljana Srbljanoviç, ia ka thënë në sy presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se Kosova është shtet i pavarur dhe Serbia duhet ta njohë. Por, Vuçiç tha se mendon që në asnjë mënyrë nuk duhet ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.
Në emisionin e televizionit serb “TV Prva”, ku po diskutoheshin tema të rendësishme për Serbinë, ishte i ftuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në pyetjen nëse Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, shkrimtarja Srbljanoviç tha se “Kosova është shtet i pavarur për 15 vjet, fqinji ynë me të cilin duhet të kemi marrëdhënie të mira. Serbia duhet ta njohë atë dhe shpresoj se gjithçka po shkon në atë drejtim”.
“Atj ka një numër të madh njerëzish të kombësisë sonë që duan të qëndrojnë atje. Janë të kota e gjithë pasuria dhe rrugët nëse jemi në një luftë rrëshqitëse me shqiptarët”, tha Srbljanoviç.
Shkrimtares serbe presidenti Vuçiç iu përgjigj, duke thënë se me siguri i ka dëgjuar disa kandidatë të tjerë për president, kur mendon kështu.
“Unë nuk mendoj se ne duhet ta pranojmë apo njohim pavarësinë [e Kosovës] në asnjë mënyrë, por duhet të punojmë me shqiptarët nga Kosova për bashkëpunim të ndërsjellë. Por kjo është e pamundur sepse pavarësia është gjithçka për të çfarë ata duan të flasin”, ka shtuar Vuçiç.
Ai tha se “Ballkani i Hapur është ideja më e mirë, është një mënyrë për të kapërcyer dallimet dhe marrëdhëniet tona të këqija”. bw
Parlamenti i Malit të Zi votoi për rrëzimin e qeverisë së Zdravko Krivokapiq, e dalë nga zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit 2020.
43 deputetë votuan në favor të mocionit të mosbesimit dhe 11 kundër, ndërsa 27 të tjerë nuk votuan në parlamentin me 81 anëtarë.
Të gjitha partitë opozitare përfshirë këtu edhe partitë e pakicave, Partia Demokratike e Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviq dhe anëtarët e shumicës së mëparshme qeverisëse, Lëvizja Qytetare URA dhe CIVIS, votuan për rrëzimin e qeverisë së zotit Krivokapiq.
Kundër ishin 11 deputetë të partive proserbe të Frontit Demokratik dhe të Demokratëve të Malit të Zi, të cilët gjatë debateve të gjata kundërshtuan ashpër mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.
Votimi për rrëzimin e qeverisë ishte publik dhe i hap rrugën procesit të negociatave për qeverinë e re.
Milosh Konatar, që kishte paraqitur mocionin në emër të Lëvizjes URA të zv/kryeministrit Dritan Abazoviq, tha në fjalën e tij përmbyllëse se ndryshimi i qeverisë është një gjë normale.
“ Çdo qeveri e ardhshme duhet të mësojë nga gabimet e kësaj (qeverie) “ tha zoti Konatar.
Ai i cilësoi si manipulim dhe i hodhi poshtë pretendimet e disa partive se po kthehet në pushtet partia e presidentit Gjukanoviq .
“Unë ëndërroj një Mal të Zi, në të cilin do të ishte kryeministri shqiptar dhe ai do të nënshkruajë Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe dhe se do të jetë shembull i pajtimit në Mal të Zi”, tha zoti Konatar.
Gjatë ditës Zv/kryeministri Dritan Abazoviq tha se “pas rënies së qeverisë së Krivokapiqit do të hapen bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv ku ka disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme”.
Mocionet e mosbesimit dhe kërkesat për shkarkimin e përfaqësueseve të ekzekutivit janë rezultat i krizës disamujore qeveritare, si mes parlamentit dhe qeverisë, ashtu edhe brenda vetë qeverisë.
Parlamenti të enjten, më 3 shkurt, refuzoi të diskutonte dhe votonte për shkarkimin e Zv/kryeministrit Abazoviq, të cilin e kishte kërkuar kryeministri Krivokapiq. Ndërkaq votëbesimi ndaj kreut të parlamentit Aleksa Beçiq është caktuar për të hënën me kërkesën e opozitës malazeze.