Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, më 4 shtator në Vladivostok të Rusisë, njoftoi ndihmësi i presidentit rus, Yuri Ushakov.
Agjencia shtetërore e lajmeve Beta e citoi Ushakovin të ketë thënë se Vulini dhe Putini do të takohen në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor (EEF).
Ky forum do të mbahet nga 3 deri më 6 shtator në kampusin e Universitetit Federal të Lindjes së Largët të Rusisë në Vladivostok.
Vulin u takua me Yuri Ushakov, këshilltarin e presidentit Putin për punë të jashtme, para tri javëve gjatë një vizite zyrtare në Moskë.
Qeveria serbe kishte njoftuar asokohe se Vulini kishte nënvizuar se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë kurrë më të sinqerta dhe më kuptimplota.
Më herët në qershor, Vulin u takua në Moskë me ministrin e Punëve të Brendshme të Rusisë, Vladimir Kolokoltsev, sekretarin e Këshillit të Sigurisë Ruse, Sergei Shoigu, dhe me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Alexander Grushka.
Ajo ishte vizita e parë zyrtare e Vulinit në Rusi prej se u zgjodh në postin e zëvendëskryeministrit të Serbisë.
Vulin – ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) – është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë. Prej se Moska e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës mbi dy vjet më parë, Vulin e ka vizituar Rusinë disa herë. REL
Kur bëhet fjalë për termin “overtourism” (mbiturizmi”), shumica e njerëzve para së gjithash mendojnë për Majorkën, Venecian ose Barcelonën. Në Spanjë, qytetarët në qendrat kryesore turistike kanë dalë madje së fundi edhe në rrugë dhe kanë protestuar kundër numrit të madh të turistëve – ndonjëherë duke përdorur madje edhe mjete të papranueshme.
Ata kanë kundërshtuar numrin e madh të turistëve, me shpjegimet se po ua rrezikojnë jetën dhe mirëqenien atje, sepse nuk janë në gjendje të paguajnë kostot e larta të apartamenteve apo ushqimeve.
Në të njëjtën kohë, Barcelona nuk është as ndër 18 qytetet e para në listën europiane të portalit “Holiday” për nga numri i vizitorëve për frymë njeriu. I pari në këtë listë është Dubrovniku me 27 vizitorë për frymë njeriu që jeton atje. Ndërsa në vend të dytë është Rodosi grek me 26, e në vendin e tretë vjen Venecia me 21 turistë për frymë, ndonëse Venecia konsiderohet si një prej vendeve më të vizituara në botë. Me shtatë vizitorë për frymë, Parisi është vetëm në vendin e 12-të në këtë listë. Barcelona, qyteti ku protestuesit ndonjëherë ndjekin turistët me pistoleta uji, është në vendin e 20-të, pra shumë larg vendeve më të vizituara.
Berlini, qytetarët e të cilit janë ankuar prej vitesh se “nuk po mund të marrin frymë” nga turistët që vijnë në festa të ndryshme, renditet në vedin e 33-të me vetëm dy vizitorë për frymë njeriu në këtë qytet me rreth 3,6 milionë banorë. Por nëse merret parasysh vetëm numri i bujtjeve në një vend kundrejt numrit të popullsisë, atëherë në vendet e para renditen qendrat turistike në detin Egje, mbi të gjitha ishulli i Santorini në Greqi.
Kroacia dhe Mali i Zi kryesojnë
Për sa i përket numrit të turistëve për vitin 2023, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Turizmin, me 16.9 milionë, Kroacia është me distancë në vendin e parë. Franca me 100 milionë vizitorët e saj (ardhjet turistike ndërkombëtare) është në vendin e parë, përpara Spanjës me 85, 2 milionë, SHBA-së me 66,5 milionë dhe Italisë me 57,2 milionë. Por krahasuar me raportin e turistëve për frymë popullsie në këto vende janë larg Kroacisë.
Listën e vendeve me numrin më të madh të turistëve për frymë njeriu e kryeson pra Kroacia me 4.3 vizitorë për frymë. Mali i Zi është në vendin e dytë me afërsisht të njëjtat shifra. Pasohet nga Austria me 3.4 dhe Greqia me 3.1 turistë për frymë. Shifra të larta, shënohen në ato destinacione turistike ku jetojnë relativisht pak banorë vendas, që mund të thuhet edhe për Kroacinë e cila ka vetëm rreth 3.8 milionë banorë, por edhe Malit të Zi me vetëm rreth 600 mijë banorë.
Ka edhe qytet-shtete si Monako, Andorra apo Vatikani ku shifrat janë të larta. Në vende si Spanja me rreth 48 milionë banorë vijnë 1.8 turistë për banor. Në Itali raporti është 1:1 ndërsa Gjermania, ku jetojnë rreth 83 milionë banorë, nuk ka as gjysmën e numrit të turistëve për frymë njeriu.
Shqipëria nuk përmendet në këto analiza dhe vlerësime. sn
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, derisa ka folur për kapacitetet ushtarake të shtetit të tij, ka përmendur edhe armatosjen e Serbisë.
Ai ka përmendur blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë “Rafale” – kontratë e nënshkruar të enjten ditën kur presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po vizitonte Beogradin.
“Serbia do të blejë Rafale, ne nuk i kemi ato. Serbët po armatosen për një javë luftë fiktive që nuk do të shpërthejë kurrë. Franca dhe Amerika shikojnë vetëm interesat e tyre: Kështu funksionon bota”, ka thënë ai, raportoi Dnevnik.
Macroni edhe sot, 30 gusht, është në Serbi në vizitën dyditore të tij. Pas takimit që pati me Aleksandër Vuçiqin, ai deklaroi se Serbia e ka vendin në Bashkimit Evropian. sn
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Beograd, Serbi, 29 gusht 2024.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten gjatë një vizite në Beograd se lëvizjet “e njëanshme” dhe “shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë dhe se Franca është e përkushtuar që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.
I pyetur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Macron tha se kjo çështje “nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe, në përputhje me rrethanat, nëse nuk ka guxim politik për të arritur një zgjidhje”.
“Së bashku me partnerët tanë evropianë, kemi thënë se sa të shqetësuar jemi për hapat e fundit të njëanshëm të Kosovës që nuk dërgojnë sinjal të mirë”, ka thënë Macron, me gjasë duke iu referuar vendimeve të muajve të fundit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në veri të vendit dhe synimeve të saj për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Ai theksoi se Franca dëshiron që Kosova ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Jini të sigurt se Franca do të vazhdojë t’i ndjekë me vëmendje të veçantë kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë dhe, në këtë kontekst, jemi veçanërisht të përkushtuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.
Kosova dhe Serbia kanë arritur në të kaluarën marrëveshje për themelimin e tij, për të janë hartuar drafte e propozime prej palëve të ndryshme, por Asociacioni nuk është formuar kurrë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë kohë më parë se Kosova nuk po heziton ta dërgojë një draft të Perëndimit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, por se është kundër zbatimit të njëanshëm të marrëveshjes.
Marrëveshja kërkon respektim të integritetit territorial të të dyja vendeve, dhe që Serbia të mos e kundërshtojë procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Osmani beson se Serbia është tërhequr nga marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, dhe konsideron që nëse vendi i saj duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, aleatët ndërkombëtarë duhet të ofrojnë garanci të sigurisë.
“Zbatimi i marrëveshjes pa garanci të sigurisë, pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare, nuk ka asnjë kuptim”, tha Osmani për Radion Evropa e Lirë, duke përmendur nevojën e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe në Këshillin e Evropës, si dhe aktivizimin e fushatës së njohjeve, mes tjerash.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më 21 gusht, pas një takimi me senatorin Chris Murphy në SHBA, se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e marrëveshjes, por për t’u zbatuar, ajo duhet të pranohet edhe nga Serbia.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u dërgoi një letër zyrtarëve evropianë, në të cilën konfirmoi se Serbia ka vija të kuqe kur bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar disa herë që Serbia as nuk do ta njohë shtetësinë e Kosovës, e as nuk do të lejojë anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve e Bashkuara. REL
Autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk i dhanë leje zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, për të fluturuar me helikopter në Pale, afër Sarajevës, njoftoi Qeveria e Serbisë.
Vulin duhej të merrte pjesë në një festë të kësaj komune, të njohur si Vellika Gospojina, dhe të vendoste lule në Sheshin e Republikës Sërpska për luftëtarët serbë që humbën jetën në luftën e viteve 1990.
“Edhe pse kabineti i zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada e Serbisë i kanë dorëzuar në mënyrë të rregullt dhe me kohë të gjitha informatat e nevojshme dhe dokumentet mbështetëse, e madje kanë deklaruar qëllimin e vizitës, autoritetet në Federatë, me heshtjen dhe mospërgjigjjen e tyre, nuk e kanë dhënë pëlqimin për fluturim”, thuhet në komunikatën që transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Në njoftim thuhet, gjithashtu, se Ambasada e Serbisë i ka respektuar të gjitha procedurat e kërkuara, por, pavarësisht kësaj, autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk i janë përgjigjur kërkesës.
Deri në publikimin e këtij lajmi, autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk u deklaruan në lidhje me këtë rast.
Vulin, megjithatë, arriti në ceremoninë në Pale, por me veturë zyrtare, raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta.
Vulinit nuk iu dha leje për të fluturuar në Bosnje dhe Hercegovinë as më 5 gusht, kur ishte dashur të merrte pjesë në hapjen e një ekspozite kushtuar vuajtjeve të serbëve në Luftën e Dytë Botërore në Prebillovci – një fshat në jug të Bosnjës.
Siç shpjegoi në atë kohë ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje dhe Hercegovinës, Ellmedin Konakoviq, Vulinit nuk i është dhënë leja për të arritur në Bosnje me helikopter, pasi kërkesa ka mbërritur shumë vonë dhe se ai nuk ka dashur t’i shkelte procedurat, meqë është person, i cili “e minon integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje dhe Hercegovinës çdo ditë”.
Pas kësaj ngjarjeje, Serbia i dërgoi një notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, duke vlerësuar se një vendim i tillë “nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore”.
Vulin arriti në manifestimin në Prebillovci të nesërmen.
Retorika e Beogradit zyrtar dhe Sarajevës është ashpërsuar muajt e fundit.
Një nga arsyet ishte lobomi i autoriteteve në Beograd kundër miratimit të një rezolute të Kombeve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë.
Më 23 maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën që e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. REL
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se kur ka qenë ministër i Brendshëm dhe drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), ka bërë listat e atyre që nuk janë të mirëpritur në Serbi.
“Listat i kam bërë unë si ministër i Policisë dhe drejtor i BIA-s, bazuar në ligj dhe ndërgjegje. Më vjen keq që nuk u jam përkushtuar më shumë, sepse po shoh se sa njerëz të poshtër janë harruar. [Presidenti i Serbisë] Aleksandar Vuçiq nuk është pyetur dhe nuk është dashur të pyetet për këtë”, tha Vulin përmes një deklarate të publikuar në ueb-faqen e partisë së tij, Lëvizja Socialiste, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Komentet e tij vijnë në vazhdën e polemikave në opinionin e Serbisë, pasi këngëtarja kroate, Severina Vuçkoviq, u ndalua për disa orë në kufi me Serbinë, për shkak se ishte në “listën e kontrollit”.
Vulin tha se në lista janë persona që kanë kënduar ose folur për Serbinë në një kontekst të keq.
“Në listat që u kam dorëzuar organeve kompetente, ka pasur shtetas të huaj, që kanë ardhur në Serbi për të marrë pjesë në protesta të dhunshme, por edhe narko-bosë – nga Sarajeva deri në Prishtinë e Shkup”, tha Vulin.
Ai shtoi se në lista për “ndalim të detyrueshëm dhe kontroll të shtuar”, ka përfshirë edhe deputetë nga Kuvendi i Malit të Zi, të cilët kanë votuar për Serbinë si gjenocidiale.
Këngëtarja Severina Vuçkoviq u lirua pas disa orësh në kufi, më 25 gusht, por pastaj nuk hyri në Serbi.
“Më pyetën se çfarë mendoj për Srebrenicën, për [operacionin] Stuhia, përse i kam mbështetur demonstratat kundër nxjerrjes së litiumit…”, tha mes tjerash Vuçkoviq pas incidentit.
Ajo shtoi se e do Serbinë, ku protestohet kundër nxjerrjes së litiumit, por se nuk do të shkojë atje derisa në krye të saj të jetë Aleksandar Vuçiq.
Pas reagimit të opozitës në Serbi, organizatave joqeveritare, aktivistëve dhe artistëve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, thanë se Vuçkoviq nuk është arrestuar, por “ndaluar për kontroll” dhe se listat në bazë të të cilave është ndaluar këngëtarja, “ndoshta do të shlyhen në ditët në vazhdim”.
Vulin ishte ministër i Brendshëm i Serbisë nga tetori i vitit 2020 deri në tetor të vitit 2022.
Si drejtor i BIA-s shërbeu nga dhjetori i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023. REL
Beograd – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi sot se kundërstarët e tij politikë kanë dalë me idenë për vrasjen e tij. Ai ua drejtoi gishtin biznesmenit serb Dragan Shollak dhe “shërbëtorëve të tij politikë”.
Në një video të postuar në llogarinë “buducnostsrbijeav” në Instagram, Vuçiq tha se ditët e fundit ka pasur “kërcënime të shpeshta ndaj organeve shtetërore, politikanëve, prokurorëve, gjykatësve dhe shkencëtarëve që guxuan të thonë të vërtetën” dhe të kundërshtojnë narrativën e manjatit dhe kriminelit Dragan Shollak dhe shërbëtorëve të tij politikë”, shkruan gazeta Illyria.
“Ata dolën me idenë se duhet të më vrasin që të realizojnë revolucionin. Shumë herë u kanë thënë se kjo është zgjidhja e tyre e vetme, sepse me zgjedhje nuk do t’i fitonin kurrë. Jo sepse rregullat janë të tilla apo të atilla, por sepse populli nuk i ka dashur dhe nuk do t’i dojë kurrë”, tha VuçiqVuçiq tha se ata edhe mund ta vrasin, “por të fitojnë në Serbi dhe të bëjnë njëfarë revolucioni duke u bazuar në gënjeshtra e mashtrime dhe t’i kthejnë njerëzit në të kaluarën, në kohën e hajnisë, vjedhjes, plaçkitjes, varfërisë në Serbi nuk do të mund ta bëjnë kurrë”, tha Vuçiç.
Ai i porositi qytetarët e Serbisë që të jenë të qetë, sepse, siç u shpreh, “nuk ka asgjë nga një marrëzi e tillë”.
Kjo nuk është hera e parë që Presidenti i Serbisë bën delarata të tilla. Ai e ka bërë këtë edhe here të tjera, kur është ballafaquar me protesta të qytetarëve kundër qeverisjes së tij. Tani e bën këtë derisa përballet me reagimin e fuqishëm qytetar kundër marrëveshjes për nxjerrjen e xehes së litiumit, të nëshkruar me Bashkimin Evropian.
Pak ditë më parë, varësit e tij thanë se “një shërbim sekret i një vendi mik” ka parajamëruar se në Serbi gjoja po përgatitet grusht shtet dhe vrasje e Vuçiqit. Zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin, gjatë vizitës së tij në Moskë, para disa ditësh, e falënderoi shërbimin secret rus për këtë “informacion. sn
Zëvendëskryeministri pro rus i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha të mërkurën në Moskë se vendi i tij “nuk është pjesë e histerisë antiruse”, duke i siguruar zyrtarët e lartë të Rusisë se Beogradi nuk do të bëhet pjesë e sanksioneve kundër Kremlinit.
Ai i bëri këto komente gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergej Lavrov.
Në një njoftim të qeverisë serbe thuhet se të dy zyrtarët u pajtuan se bashkëpunimi dypalësh ndërmjet Serbisë dhe Rusisë është shumë i mirë dhe se po zhvillohet në të gjitha nivelet, para së gjithash falë marrëdhënieve miqësore dhe të përzemërta mes presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe atij rus Vladimir Putin.
“Vulin përsëriti se është krenar që Serbia nuk është pjesë e histerisë anti-ruse dhe se nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse”, thuhet në njoftim.
Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit për pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës.
Në njoftim e qeverisë serbe thuhet se zv/kryeministri Vulin “i shprehu mirënjohjen e tij Rusisë dhe ministrit Lavrov për qëndrimin e tyre parimor për tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Serbisë dhe për mbështetjen e tyre vetëmohuese në luftën e popullit serb kundër rezolutës për Srebrenicën”.
Vizita e zëvendëskryeministrit serb Vulin në Rusi është e dyta që kur ai u emërua në këtë post në pranverën e këtij viti.
Ai u emërua në qeverinë e Serbisë disa muaj pasi në nëntor të vitit 2023 dha dorëheqje nga posti i shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit, pasi që në korrik të atij viti sanksionua nga Shtetet e Bashkuara, për përfshirje në veprimtari korruptive dhe destabilizuese që dëmtojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, për ndihmë Moskës në veprimtaritë keqdashëse dhe për lidhje me një tregtar armësh dhe një rrjet të trafikut të drogës.
Rikthimi i tij në post qeveritar ku kishte shërbyer edhe më parë si ministër e Brendshëm e ministër i Mbrojtjes, nxiti “zhgënjimin” e Shteteve të Bashkuara, ndërsa opozita serbe tha se me përfshirjen e tij në qeverinë e re “Serbia zyrtarisht nuk është më në rrugën evropiane”.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç prej vitesh pretendon se ndjek një politikë “neutrale”, duke balancuar lidhjet mes Moskës, Pekinit, Brukselit dhe Uashingtonit.
Zëvendëskryeministri i tij Vulin ka diskutuar me zyrtarët në Moskë për forcimin e bashkëpunimit strategjik si dhe “modelet dhe mekanizmat për vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe organizatës BRICS”, një bashkim ekonomik i vendeve si Rusia dhe Kina, së bashku me vende të tjera nga Azia, Afrika dhe Amerika Jugore.
Protestuesit duke mbajtur flamurin serb në binarët e një stacioni hekurudhor në Beograd.
Rreth orës 5:30 të mëngjësit të së dielës, forcat policore të Serbisë i kanë larguar protestuesit që kanë bllokuar dy stacione hekurudhore në qendër të Beogradit, qysh prej mbrëmjes së 10 gushtit.
Ata i kanë bllokuar stacionet hekurudhore “Beograd qendër – Prokop” dhe “Novi Beograd”, pasi kanë mbajtur një protestë në qendër të kryeqytetit serb, kundër planeve për mihje të minierës së litiumit.
Një protestues i ka thënë agjencisë së lajmeve Beta, se gjatë intervenimit, zyrtarët policorë kanë përdorur mburoja për t’i larguar protestuesit prej stacionit policor “Beograd qendër – Prokop”.
Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se “në përputhje me ligjet e Serbisë dhe fuqitë ligjore”, është rikthyer trafiku hekurudhor.
Mes tjerash, është bërë e ditur se policia ka nisur proces penal kundër të gjithë pjesëmarrësve, për pengim të trafikut publik ndërkombëtar dhe rrezik të sigurisë së qytetarëve.
Në protestën e 10 gushtit, protestuesit fillimisht kanë nisur marshin në qendër dhe më pas janë nisur drejt urës Gazella.
Atje janë ndarë në dy grupe dhe janë nisur drejt stacioneve hekurudhore.
Mijëra persona mbledhur në protestën e organizuar prej Aleancës së Organizatave për Ambientin e Serbisë, pasi Qeveria nuk e ka përmbushur kërkesën e protestuesve për të miratuar një ligj brenda 40 ditësh, që ndalon mihjen e litiumit dhe hapjen e minierave në luginën e lumit Jadar, në perëndim të Serbisë, prej kompanisë Rio Tinto.
Aktivisti dhe njëri prej organizatorëve të protestës, Zllatko Kokanoviq, ka thënë më 10 gusht se bllokadat do të zgjasin derisa të miratohet kërkesa për një ligj që ndalon eksploatimin e borit dhe litiumit.
Sipas tij, bllokadat do të organizohen në tri deri në pesë pika tjera, nëpër qytete të ndryshme në Serbi.
Pas protestës së 10 gushtit, Rio Tinto ka vlerësuar se “është duke u kryer fushatë intensive e dezinformimit kundër projektit Jadar, përmes së cilës po përhapen lajme të rreme dhe pretendime të pavërteta, kinse projekti do të ketë ndikim shkatërrues në ambient dhe në shëndetin e njerëzve”.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë tjerë të lartë kanë thënë se synimi kryesor i protestës është “rrëzimi i Qeverisë”.
Vuçiq ka folur vazhdimisht me tone pozitive për projektin “Jadar”, dhe ka thënë se miniera e litiumit duhet të nisë punën më 2026, nëse “ofrohen garanci që nuk do të rrezikohet ambienti dhe jeta e njerëzve”.
Më 6 gusht, ministri serb i Shëndetësisë, Zoran Lonçar, e ka prezantuar një ekip të ekspertëve shëndetësorë, të cilët, sipas tij, do të vlerësojnë ndikimin e minierës së litiumit te shëndeti i njerëzve.
Disa ekspertë vendorë dhe të huaj vlerësojnë se procesi i eksploatimit të litiumit përcillet me pasoja në ambient, si dhe me ndotje të ujit dhe tokës. REL
Moska ka paralajmëruar Beogradin që të përgatitet, pasi përfaqësitë e disa vendeve perendimore po planifikojnë trazira masive, u tha gazetarëve presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
I pyetur për përgatitjet perëndimore për një grusht shteti në vend, ai tha: “Sot morëm informacion zyrtar nga Federata Ruse”.
“Informacioni është siguruar përmes kanaleve formale dhe ne po punojmë për ta zgjidhur atë. Për këtë është përgjegjës Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (organi i inteligjencës së Serbisë – TASS), përveç kësaj, njerëzit në qeverinë serbe dhe agjencitë e tjera që janë të specializuar për këto gjëra janë duke bërë punën e tyre”, theksoi Vuçiq.
Presidenti serb tha se tentativat për grusht shteti në vendin e tij, do të dështojnë.
“Ata që ëndërrojnë të arrijnë diçka me forcë do të dështojnë. Serbia vazhdimisht po ecën përpara dhe ata nuk mund dhe nuk do ta ndalojnë atë. Ata nuk do të mund ta ndalojnë më kurrë. Ky është mesazhi im për të gjithë, dhe njerëzit tanë nuk kanë asgjë për t’u shqetësuar. rreth”, përfundoi kreu i shtetit.
Më herët, gazeta Vecernje Novosti raportoi se anëtarët e opozitës serbe ishin të gatshëm të përfitonin nga protestat properëndimore në Beograd të planifikuara më 10 gusht për të pushtuar pallatin presidencial, për të eliminuar kreun e shtetit dhe për të nisur të njëjtin skenar si në Ukrainë.
Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, vlerësimi i situatës në Serbi tregon se forcat dashakeqe kanë rifilluar përpjekjet për të mbjellë destabilitet.
Më 19 korrik, Serbia dhe Bashkimi Evropian nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për partneritet strategjik në fushën e lëndëve të para, i cili bëri thirrje për prodhim të pastër mjedisor të litiumit në Serbi. Opozita serbe është fuqimisht kundër minierave të mundshme të litiumit, duke thënë se kjo mund të rrezikojë jetën e njerëzve dhe të dëmtojë mjedisin, dhe duke bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare. sn
Zlatko Kokanoviç nuk do një minierë litiumi në oborrin e shtëpisë së tij dhe do të bëjë gjithçka që mundet për ta penguar hapjen e saj.
“Të gjithë ne këtu, jemi gati të japim jetën”, tha bujku 48-vjeçar për agjencinë e lajmeve Associated Press. “Ata mund të qëllojnë. Kjo është mënyra e vetme që mund ta hapin minierën”.
Në lojë është një luginë e harlisur bujqësore në Serbinë perëndimore, me rezervat më të pasura të litiumit në Evropë, një metal i çmuar që përdoret për të prodhuar bateri për makinat elektrike dhe është thelbësor për kalimin në energjinë e gjelbër.
Nëse duhet të ketë një minierë në luginë apo jo, është bërë një nga çështjet më të diskutueshme në kombin ballkanik, duke nxitur protesta nga mijëra veta, në një sfidë ndaj presidentit populist Aleksandar Vuçiç.
Ndërsa qeveria këmbëngul se miniera është një mundësi për zhvillim ekonomik, kritikët thonë se ajo do të shkaktonte ndotje të pariparueshme në luginën e Jadarit, së bashku me rezervat e ujit nëntokësor, tokën bujqësore dhe dy lumenj të vegjël që përshkojnë luginën.
Mijëra veta pritet të marrin pjesë në një tubim të paralajmëruar për të shtunën në Beograd, duke kërkuar një ligj për të ndaluar minierat e litiumit kudo në Serbi.
Zlatko Kokanoviç do të jetë atje me grupin “Ne Damo Jadar”, ose “Nuk e japim Jadarin”.
“Ne nuk jemi të interesuar për përfitimet e tyre. Ne jemi rritur në këtë tokë dhe do të vdesim në këtë tokë”, tha Kokanoviç, i cili ka pesë fëmijë. “Kjo tokë nuk është pronë e askujt tjetër, është e fëmijëve tanë”.
Hulumtimi i rezervave të litiumit dhe të borit në luginën e Jadarit është bërë nga kompania shumëkombëshe e minierave Rio Tinto për 20 vjet. Kompania ka hartuar plane për hapjen e një miniere.
Përgjatë historisë së saj 150-vjeçare, kompania Rio Tinto është përballur me akuza për korrupsion, dëmtim mjedisi dhe shkelje të të drejtave të njeriut në vendet e gërmimeve, një histori që ka alarmuar banorët në Jadar dhe grupet për mbrojtjen e mjedisit në Serbi.
Protestat masive në vitin 2021 dhe me 2022, detyruan qeverinë e Serbisë të pezullojë përkohësisht planin për hapjen e minierës, për ta ringjallur atë në muajin korrik të këtij viti përpara se të nënshkruante një marrëveshje për partneritet strategjik në fushën e lëndëve të para me Bashkimin Evropian, në prani të kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Dubravka Gjedoviç Handanoviç, ministre serbe e Minierave dhe Energjisë, i tha agjencisë Associated Press në një intervistë se lugina e Jadarit përmban rreth 158 milion tonelata litium, ose rreth 17 për qind të rezervave të përgjithshme të kontinentit evropian.
Jadari, tha ajo, është “një nga vendet më të mira të eksploruara të litiumit në Evropë dhe ndoshta një nga më të mirët në botë” dhe mund të “ta vendosë Serbinë si vendin më të mirë jo vetëm në Evropë, por edhe në mbarë botën” kur bëhet fjalë për të luftuar ndryshimin e klimës.
Nënshkrimi i ministres Gjedoviç Handanoviç është në marrëveshjen me BE-në që parasheh një “partneritet strategjik” mbi lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirëve të prodhimit të baterive dhe makinave elektrike. Plani është që jo vetëm të eksportohet lëndë e parë, por edhe të nxisë zhvillimin e teknologjive të reja në Serbi.
Çdo gërmim i mundshëm do të përmbushë standardet më të larta të BE-së, tha ministrja Handanoviç, duke premtuar se “nuk do të bëjmë asgjë që do të ketë ndikim negativ”.
“Në atë rast projekti nuk do të zhvillohet”, tha ajo, duke u ankuar për sic tha “dezinformatat” që janë përhapur rreth projektit. Si përgjigje, qeveria ka ngritur një qendër thirrjesh dhe një ekip mjekësor për të vëzhguar çdo rrezik të mundshëm shëndetësor, tha ajo.
Ndonëse mund ta çojë Serbinë më afër BE-së dhe të ndihmojë në uljen e varësisë së bllokut nga Kina për litium, kritikët argumentojnë se rreziqet nga minierat e litiumit, i tejkalojnë përfitimet.
Serbia është një vend kandidat për anëtarësim në BE, por ruan gjithashtu lidhje të ngushta me Moskën dhe Pekinin. Kina zotëron minierën më të madhe të bakrit në Serbinë lindore.
Dragana Gjorgjeviç, profesore në Universitetin e Beogradit dhe eksperte e kimisë së mjedisit, është në mesin e një grupi studiuesish serbë që zbuluan në një studim se toka në luginën e Jadarit ishte dëmtuar tashmë gjatë hulumtimeve.
Jadari, tha zonja Gjorgjeviç, është një zonë bujqësore me ujëra nëntokësore dhe lumenj që shpesh vërshojnë dhe mund të bartin çdo material helmues. Miniera është “një rrezik i madh për gjithë rajonin”, tha ajo.
Kompania Rio Tinto ka thënë se do ta hap minierën në përputhje me standardet e sigurisë së BE-së. Në një përgjigje të shkurtër përmes postës elektronike dërguar agjencisë së lajmeve Associated Press, dega e kompanisë në Serbi tha se “i jep përparësi dialogut publik të mbështetur në fakte” dhe citoi një projekt-studim të veçantë mjedisor që u bën thirrje të interesuarve të paraqesin komentet e tyre.
Zyrtarët thonë se miniera nuk do të hapet para vitit 2028. Presidenti serb Vuçiç i ka përshkruar protestat aktuale kundër litiumit si politike, të organizuara nga fuqi të huaja dhe të drejtuara kundër tij dhe qeverisë serbe.
Miniera do të përfshijë rreth 200 hektarë të luginës, e cila është e mbushur me fusha të mbjella me misër dhe sojë.
Vladan Jakovljeviç, i cili është rreth të 60-ave, jeton në fshatin Stupnicë, në kodrat me pamje nga lugina. Edhe ai nuk do të heqë dorë nga mënyra e tij e jetesës, kosheret e bletëve dhe një mjedis i shëndetshëm për familjen e tij.
Nëse miniera hapet, thotë ai, “nuk do të ketë jetë për ne”.
Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, i cili u vra në Lloznicë të Serbisë muajin e kaluar, njoftoi të enjten Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD).
MPJD shkroi në Facebook se, avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, dhe ambasadori Jetish Jashari, po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë.
“Rreth procedurave të mëtutjeshme mjeko-ligjore të identifikimit dhe verifikimit të trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, nga institucionet e Republikës së Kosovës, do të ju mbajmë të informuar”, thuhet në njoftim./ REL/
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq (majtas) e pret në një takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Utulash, në Beograd, Serbi, 8 gusht 2024.
Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Utulash, u takua të mërkurën me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Beograd, për të biseduar për gjendjen e sigurisë në Kosovë, tha ushtria serbe.
Në një komunikatë për media, Forcat e Armatosura të Serbisë thanë se ky ishte një takim i rregullt i nivelit të lartë, ku u bisedua edhe për bashkëpunimin mes ushtrisë serbe dhe KFOR-it “në detyrën tonë të përbashkët për krijimin e një mjedisi të sigurt” në Kosovë.
“Një bisedë u zhvillua gjithashtu për veprimet e ndërmarra nga Forcat e Armatosura të Serbisë dhe nga forcat ndërkombëtare në provincë, për vëzhgimin e gjendjes në terren, parandalimin e krijimit të ndonjë krize dhe për të ofruar përgjigje efikase, në rast se siguria kërcënohet”, thuhet në komunikatë referuar veriut të Kosovës.
Ata u pajtuan se është e nevojshme të vazhdohet “bashkëpunimi i mirë”, duke e parë se gjendja e sigurisë në Kosovë “është e paqëndrueshme dhe e ndjeshme”, sipas njoftimit.
Takimi i tyre vjen në një kohë kur autoritetet e Kosovës i kanë ndërmarrë disa veprime në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe, të cilat janë kundërshtuar nga Serbia dhe serbët e Kosovës.
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe. Ditë më parë, autoritetet kosovare i mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
Veprimet e Kosovës janë kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i kanë cilësuar ato si të “njëanshme”.
Ndërkohë, pjesëtarët e komunitetit serb protestuan të mërkurën kundër hapjes së urës mbi Ibër, pas paralajmërimit të autoriteteve kosovare se do ta bëjnë një gjë të tillë.
Pas përfundimit të protestës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftoi pjesëtarët e komunitetit serb të mërkurën të marrin pjesë në një diskutim në Mitrovicën e Veriut, në të cilin tha se mund të njoftohen “mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.
Të mërkurën më herët, KFOR-i paralajmëroi përsëri se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.
Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX, me të cilat thotë se bashkëpunon ngushtë. REL
– Çdo mëngjes unë dhe shoqja im Jelena me banim në rrugën Momir Nikolić (i dënuar deri në 20 vjet burg), shkojmë bashkë në shkollën “Biljana Plavsić” (e denuar me 11 vjet burg).
Unë jetoj në rrugën Stanisla Galić nr. 92 (i denuar me burg të përjetshëm).
Për të shkuar në shkollë, duhet të kalojmë rrugën Radoslav Krstić (i dënuar me 35 vjet) dhe Parkić Ljubomir Borovčanin (i dënuar me 17 vjet burg).
Unë dhe miqtë e mi jemi studentë të shkëlqyer dhe duam të regjistrohemi në shkollën e mesme “Momçilo Krajisnik” (i dënuar me 20 vjet burg), por duhet t’i kemi të gjitha notat vetëm pesta, d.m.th. “Vukovca nga Vučjaku”.
Pas shkollës shkojmë në stërvitje, gjimnastikë ritmike, në klubin “Dusko Tadič” (i dënuar me 20 vjet burg).
Jemi kampionë të Republika Srpska dhe nënkampionë të Serbisë së Madhe.
Sigurisht, do të jemi shumë më të mirë kur të ndërtohet kompleksi sportiv “Radovan Karadjić” (i dënuar me burgim të përjetshëm) me stadiumin Olimpik “Ratko Mlladiq” (i denuar me burgim të përjetshëm).
Unë vetë jam anëtar i kompanisë skautiste “Radoslav Branin” (i dënuar me 30 vjet burg).
Kjo është përditshmëria jonë!
7 rrugë = 162 vjet burg.
2 rrugë = burgim të përjetshëm!
SHUMË PËR DITËN RS!
Perktheu: Sef Krasniqi
***Ja si edukohet shovinizmi serbomadh në Republika Sërbska – kjo pjesë e titullit u shtua nga redaksia e Voal.ch
Kuvendi i Serbisë e ka miratuar të mërkurën të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb, e cila doli nga një “Kuvend gjithëserb” muajin e kaluar në Beograd.
Deklarata – e miratuar më 8 qershor në Beograd në një takim të përbashkët të Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës – përbëhet nga 49 pika dhe e përmend edhe Kosovën.
Aty thuhet se populli serb “përbën një entitet të vetëm” dhe se, ndonëse “përgjatë historisë, populli serb ka jetuar në shumë shtete me emra të ndryshëm, ai ka të drejtë të ruajë traditën e tij të pasur”.
Në takimin e 8 qershorit në Beograd ishte insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova dhe Metohija” – si referencë për shtetin e Kosovës.
Agjenci serbe e lajmeve Beta, raporton se Deklarata u miratua me 139 vota pro dhe u duartrokit nga përfaqësuesit e Qeverisë serbe. Nëntë deputetë votuan kundër, ndërsa asnjë nuk abstenoi.
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, nuk ishte i pranishëm gjatë votimit, pavarësisht se ardhja e tij në Kuvendin e Serbisë për këtë ishte paraljamëruar. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, kishte marrë pjesë në seancën e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska kur kjo e fundit e votoi Deklarata në Banja Llukë në fillim të këtij muaji, raportoi portali N1.
Miratimi i kësaj Deklarate nga Republika Sërpska u dënua nga anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, si dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë.
Çfarë thuhet për Kosovën?
Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.
Nënshkruesit e Deklaratës i kanë dënuar edhe ato që i kanë konsideruar kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.
Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.
Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. Radio Evropa e Lirë
Ndërtimi i minierës së litiumit në luginën e lumit Jadar në perëndim të Serbisë, mund të bëhet sërish shkak për protesta masive në atë vend, për shkak të bindjes së një pjese të qytetarëve dhe aktivistëve se miniera do të kishte pasoja të mëdha për mjedisin.
Litiumi është një mineral që përdoret për bateritë në telefonat celularë, kompjuterët dhe makinat elektrike.
Ditët e fundit, në të paktën dhjetë qytete të Serbisë veçse janë mbajtur protesta me mesazhin “nuk do të ketë miniera”.
Lëvizjet mjedisore në Serbi, përfshirë “Nuk e japim Jadarin” (Ne damo Jadar), kanë paralajmëruar një protestë të madhe në Beograd më 10 gusht, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, paralajmëron mundësinë e referendumit për këtë çështje.
Qeveria e Serbisë, pikërisht nën presionin e protestave për mbrojtjen e mjedisit, dy vjet më parë ndaloi projektin e minierës së litiumit në luginën e lumit Jadar afër Lloznicës, por autoritetet serbe në fillim të vitit 2024 njoftuan se çështja ishte “në pauzë”.
Kështu, më 16 korrik të këtij viti, autoritetet në Serbi e rikthyen rregulloren për krijimin e planit hapësinor për zbatimin e projektit “Jadar”, i cili përfshin shfrytëzimin e mineraleve jadarite – litium dhe bor.
Jadaritet u zbuluan në vitin 2004 në perëndim të Serbisë nga kompania ndërkombëtare e minierave Rio Tinto. Ajo kompani, selia e së cilës është në Londër, tani është e interesuar për ndërtimin e një miniere litiumi në luginën e lumit Jadar, që është degë e lumit Drina.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pretendon se minierat e litiumit në Serbi do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe se miniera nëntokësore e litiumit mund të hapet në katër vjetët e ardhshëm, por me garanci nga Bashkimi Evropian (BE) që mjedisi do të ruhet.
A e kërcënon mjedisin miniera e litiumit?
Kompania Rio Tinto njoftoi se zona e luginës së lumit Jadar në perëndim të Serbisë ka një nga rezervat më të mëdha evropiane të xehes për prodhimin e litiumit dhe se projekti i tyre parasheh prodhimin e 58.000 tonelatash litium në vit, të mjaftueshme për 1.1 milion automjete elektrike ose 17 për qind të automjeteve elektrike në Evropë.
Kjo kompani siguron publikun se projekti është i sigurt.
Më 19 korrik, në Beograd u nënshkrua një Memorandum mirëkuptimi ndërmjet BE-së dhe Serbisë për partneritet strategjik për lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e prodhimit të baterive dhe automjetet elektrike.
Me atë rast, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se projekti i kompanisë Rio Tinto, që parasheh nxjerrjen e litiumit, është i mirë për Serbinë.
Scholz dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shevçoviç, nënvizuan se standardet më të larta mjedisore do të respektohen gjatë minierave të litiumit, i cili është i rëndësishëm për tranzicionin e gjelbër.
Bashkimi Evropian po përpiqet të zvogëlojë varësinë e tij nga importet prej Kinës dhe Gjermania është prodhuesi më i madh i makinave elektrike në Evropë që përdorin bateri litiumi.
Scholz tha se në të ardhmen litiumi është po aq i rëndësishëm për lëvizshmërinë sa ka qenë deri tani nafta.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, premtoi gjithashtu se do të insistojë në mbrojtjen e mjedisit dhe se uji, toka dhe ajri në luginën e Jadarit do të mbeten të pastër.
Siç tha ai, ka marrë garanci nga BE-ja se projekti “Jadar” do të realizohet sipas standardeve më të larta mjedisore.
Çfarë kontestohet?
Qytetarët serbë dhe aktivistët për mbrojtjen e mjedisit besojnë se minierat e litiumit do të jenë më shumë të dëmshme sesa të dobishme.
Ata kanë frikë se mund të ketë pasoja të mëdha për mjedisin për hir të një përfitimi të vogël ekonomik.
Ajo që kontestohet është se në projektin e minierave të litiumit është përfshirë gjigandi i minierave Rio Tinto, një kompani që po përballet me rezistencën e organizatave mjedisore dhe shkencëtarëve në mbarë botën.
Në tregun botëror, kjo kompani është përballur me disa akuza për shkatërrim të mjedisit apo shkelje të të drejtave të njeriut.
Një nga shembujt më të famshëm është rasti në Papua Guinenë e Re, kur popullsia filloi një rebelim për shkak të presionit të qeverisë për të vazhduar punën në një minierë ari dhe bakri. Rebelimi u shndërrua në një luftë civile për pavarësinë e ishullit Bougainville që u luftua nga viti 1988 deri më 1997.
Cili është qëndrimi i opozitës në Serbi?
Shumica e partive opozitare në Serbi janë kundër minierave të litiumit.
Kërkesat e tyre janë të ndryshme – ato variojnë nga thirrjet për zgjedhje të jashtëzakonshme, thirrjet për protesta dhe “rebelim të përgjithshëm”, thirrja e një seance për litiumin, deri te kërkesa që Kuvendi të diskutojë nismën e popullit për ndalimin e kërkimit dhe nxjerrjes së litiumit dhe borit në territorin e gjithë vendin.
Nisma, me 38 mijë nënshkrime të qytetarëve, është dërguar në Kuvend në maj të vitit 2022, por që atëherë nuk është futur në rend dite.
Megjithatë, në seancën e Kuvendit të Serbisë – e cila me 60 pika të rendit të ditës po zgjat që nga 23 korriku – një nga temat kryesore është pikërisht litiumi.
Ndërkohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar mundësinë e shpalljes së referendumit për këtë çështje deri në fund të vitit të ardhshëm.
Ai vlerësoi se qytetarët nuk do të zgjidhnin “mes gërmimit dhe shëndetit” në atë deklarim, por mes “shqetësimit të rremë dhe progresit dhe prosperitetit ekonomik”.
Vuçiq tha se fillimisht pret një analizë të ekspertëve vendas në lidhje me mbrojtjen e mjedisit dhe akuzoi opozitën për një “fushatë negative” dhe “përhapje të gënjeshtrave” rreth litiumit.
Cilat vende kanë ende litium?
Litiumi, i cili quhet edhe ari i bardhë, mund të gjendet kryesisht në trekëndëshin e litiumit që përbëhet nga Bolivia, Argjentina dhe Kili.
Lider botëror në prodhimin e litiumit në vitin 2023 ishte Australia, që pasohej nga Kili dhe Kina, sipas Statista-s, një kompani e specializuar për të dhënat e tregut dhe konsumatorit.
Në SHBA – e cila me rreth 9 milionë tonë zë vendin e katërt në botë për sa i përket burimeve të litiumit – ekziston një minierë për shfrytëzimin e tij.
Sipas të dhënave nga Demostat-i me qendër në Beograd – një qendër joqeveritare kërkimore dhe botuese – Bashkimi Evropian është një nga konsumatorët më të mëdhenj në botë të litiumit, por ai nuk e prodhon atë, por e importon atë, kryesisht nga Kina.
Për ta reduktuar këtë varësi nga Kina, të paktën kur bëhet fjalë për lëndën e parë kryesore për prodhimin e baterive, Evropa duhet të shfrytëzojë edhe depozitat e veta të litiumit, të cilat gjenden në disa vende të kontinentit të vjetër.
Sipas Demostat-it, kandidatë janë Gjermania, Çekia, Franca, Portugalia, por edhe BE-ja po mbështet te Serbia.
Ndër vendet e rajonit, depozitat e litiumit janë ende duke u kërkuar në Bosnjë dhe Hercegovinë në zonën e Loparit dhe Zvornikut. Sipas vlerësimeve të kompanisë zvicerane të minierave Arcore AG, aty mund të ruhen rreth 2.4 milionë tonë karbonat litiumi.
Për ditë me radhë, parlamenti serb po diskuton për miratimin e deklaratës së “botës serbe” me 49 pika, të cilën qeveria e Millosh Vuçeviç kërkon ta shndërrojë në një kushtetutë të re.
Miodrag Linta, deputet i Partisë Progresive Serbe në pushtet, e konsideroi dokumentin në fjalë një bazë për atë që e quajti mbijetesë të populist serb në rajon. Ai tregoi synimet e vërteta të deklaratës duke konfirmuar se Serbia kërkon që bota të dijë se Kosova është pjesë e pandashme e saj.
Aleksandër Ivanoviç nga Lëvizja Kombëtare e Serbisë në opozitë, akuzoi qeverinë për mashtrim dhe për politika të këqija ndaj Kosovës. “Shqiptarëve u keni dhënë gjithçka”, u shpreh ai.
Opozitarit iu përgjigj shefi i grupit parlamentar të SNS, Milenko Jovanov, që akuzoi Ivanoviçin se ka shitur të gjitha pronat e tij në Kosovë.
Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, u përpoq të mbronte deklaratën e botës serbe duke pretenduar se nuk është kundër asnjë kombësie në Ballkanin Perëndimor, duke harruar që në të bëhet thirrje për të futur sërish Kosovën brenda Serbisë dhe ndërhyrje në Republika Srpska të Bosnje dhe Hercegovinës.
“Thelbi i deklaratës është nevoja për të ruajtur traditat, gjuhën, kulturën, shkrimin dhe të drejtat e popullit serb kudo që jeton”, tha ish kryeministrja.
Përballjen me realitetin ia bëri Ahmedin Shkrijeli nga Partia e Veprimit Demokratik të Sanxhakut.
“Deklarata e propozuar është kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, theksoi deputeti.
Gjatë prezantimit të deklaratës, kryeministri serb, Millosh Vuçeviç, e konsideroi atë një bazë të mirë politike për të luftuar për Kosovën dhe serbët në rajon. /A2cnn/
Në një intervistë për agjencinë serbe Beta, Trajkoviç ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç do të duhet të arrestojë Radoiçiçin për shkak të Banjskës gjatë muajit të ardhshëm, kur, siç është paralajmëruar, pritet ardhja e presidentit francez.
Ajo përkujtoi se në prill, gjatë vizitës së Vuçiçit në Francë, Macron tha se është e rëndësishme që pjesëmarrësit e sulmit në Banjskë të arrestohen.
“Vuçiç është nën një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Milan Radoiçiç. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pajtuar që procesi gjyqësor të zhvillohet në Beograd, që do të thotë se nuk ka presion për ekstradimin e Radoiçiçit dhe anëtarëve të grupit të tij në Prishtinë. Vuçiç ka premtuar se do ta gjykojë Radoçiçin dhe pritet që ai të arrestohet para ardhjes së presidentit francez Emmanuel Macron”, tha Trajkoviç.
Ajo shtoi se arrestimi është një nga kushtet për vizitën e Macron, “për çfarë nuk flitet publikisht”.
Sipas saj, arrestimi i ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç, do të jetë prova më e vështirë që Vuçiç duhet ta kalojë.
“Për Vuçiçin ka qenë shumë më e lehtë të heqë dorë nga një pjesë e territorit të Serbisë ose tash të pranojë shfrytëzimin e litiumit, sesa të heqë dorë nga njerëzit që i kanë zbatuar urdhrat e tij dhe përveç kësaj, ata janë nga mjedisi kriminal. Arrestimi i Radoiçiçit do të jetë një rrezik i madh për Vuçiçin”, tha ajo.
Në pyetjen se çfarë nënkupton me “rrezik të lartë”, Trajkoviç tha se Vuçiç ka frikë nga informacionet që të huajt do t’i jepnin gjyqësorit serb.
“Nëse gjyqësori serb fillon të merret me Banjskën dhe Radoiçiç, do të hapte mundësi që shërbime të ndryshme të huaja të dërgojnë të dhëna të ndryshme të inteligjencës, si në disa procese të tjera grupeve të organizuara kriminale. Në atë rast, Vuçiç nuk do të mund ta shpëtonte Radoiçiçin nga përgjegjësia”, tha ajo.
Ajo beson se Vuçiç do të duhet të bëjë një “marrëveshje” me Radoiçiçin.
“Vuçiç ka frikë se mafia do ta ndryshojë shefin e saj, gjë që, meqë ra fjala, ndodh shpesh në botë”, tha ajo.
E pyetur nëse ekziston mundësia që Perëndimi ta falë Vuçiçin “për rastin Banjska”, Trajkoviç tha se Evropa udhëhiçet nga prioritetet e saj.
“Është e mundur që Vuçiç planifikon të mbrojë minierat dhe hapjen e minierës së litiumit me Radoiçiçin, Zvonko Veselinoviçin dhe grupin e tyre kriminal, por përfaqësuesi i ri i SHBA-së për çështjet evropiane, Aleksandar Kasanoff, me siguri do të insistojë në përgjegjësinë dhe ndjekjen penale të çështjes Banjska”, vuri në dukje ajo, transmeton Telegrafi.
Duke komentuar faktin se presidenti i Serbisë rrallë herë e përmend Kosovën në fjalimet e tij të përditshme, Trajkoviç tha se Vuçiç po përpiçet të fshehë “rrobat e tij të pista”.
Vuçiç po përpiçet të fshehë dështimin e tij. Ai do që populli ta harrojë Kosovën. Makinerisë së tij mediatike tani i është dhënë detyra e re për të promovuar hapjen e minierës së litiumit. Shpresoj që njerëzit në Serbinë qendrore të mos bien pas premtimeve të rreme, siç u ndodhi serbëve në Kosovë”, tha Trajkoviç. sn
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka bërë të ditur të hënën se ai dhe ambasadori i Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Bocan-Harchenko, janë pajtuar që dy shtetet të shënojnë së bashku përvjetorin e çlirimit të Beogradit.
“Ne jemi pajtuar që të përkujtojmë së bashku 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin dhe çlirimin e Beogradit. Ne kemi diskutuar për temat e interesit të përbashkët, sidomos në fushat si tregtia, kultura dhe siguria rajonale”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram, pas takimit me ambasadorin rus.
Ai ka thënë se me Bocan-Harchenkon ka biseduar edhe për “situatën aktuale në shtet dhe rajon”.
Përvjetori i çlirimit të Beogradit nga pushtuesi gjerman, shënohet më 20 tetor.
Kryeqyteti i Serbisë është çliruar atëherë prej partizanëve jugosllavë dhe Ushtrisë së Kuqe Sovjetike.
Në 70-vjetorin e çlirimit të Beogradit, të shënuar më 2014, pati marrë pjesë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Serbia është një prej pak vendeve të Evropës që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Në disa raste Beogradi zyrtar e ka dënuar agresionin dhe shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës, mirëpo vazhdon të kultivojë raporte të ngrohta me Moskën.REL
Ministri serb, Gjorgje Milliçeviq, gjatë takimit me përfaqësuesit e shoqatave dhe organizatave joqeveritare nga Republika Sërpska në Banjallukë më 25 korrik 2024.
Ministri pa portofol i Qeverisë serbe, Gjorgje Milliçeviq, ka nënshkruar në Banjallukë 13 kontrata për mbështetje financiare për projekte që synojnë “forcimin e identitetit kombëtar dhe kulturor serb” në Bosnje dhe Hercegovinë dhe entitetin serb, Republika Sërpska.
Mbështetja financiare kap vlerën prej 675 mijë eurosh, tha Qeveria serbe.
Kontratat u nënshkruan gjatë një takimi që Milliçeviq zhvilloi më 25 korrik me përfaqësuesit e “shoqatave serbe dhe organizatave joqeveritare nga Republika Sërpska dhe Bosnje e Hercegovina”.
Në njoftim u tha se “pjesa më e madhe e fondeve është destinuar për blerjen e pajisjeve për shoqëritë kulturore dhe artistike, për tekstet shkollore dhe tekstet e tjera për shkollat plotësuese serbe si dhe për pajisjet sportive për klubet serbe në diasporë”.
Pas nënshkrimit të kontratave, Milliçeviq tha se “interesat kombëtare dhe qëllimet e popullit serb në shekullin 21 janë paqja, stabiliteti ekonomia dhe mbi të gjitha uniteti”.
Ai tha se në kuadër të “kuvendit gjithëserb”, që u mbajt më 8 qershor në Beogradi, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Republikës Sërpska, i cili nënkupton “forcimin e lidhjeve ekzistuese dhe krijimin e lidhjeve edhe më të forta mes atdheut dhe serbëve që jetojnë jashtë Serbisë”.
“Unë gjithmonë them se Drina kurrë nuk ka qenë lumë që ndan Serbinë dhe Republikën Sërpka, por shtylla kurrizore që bashkon Serbinë dhe Republikën Sërpska”, tha Milliçeviq.
Në seancën e jashtëzakonshme, që nisi më 23 korrik, Parlamenti i Serbisë po debaton për “Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të të ardhmes së përbashkët të popullit serb”. Deklarata, paraprakisht është miratuar nga Qeveria serbe.
Në këtë dokument, i cili po ashtu paraprakisht është miratuar nga Parlamenti i Republikës Sërpska, thuhet mes tjerash se populli serb përfaqëson një entitet unik.
Miratimi i këtij dokumenti u dënua nga anëtarët e Presidencës të Republikës Sërpska, Denis Beqiroviq, Zhellko Komshiq, por edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Pas mbledhjes së “kuvendit gjithëserb” në Beograd, Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje liderëve politikë në rajon “që të përdorim më mirë takimet e tyre për të promovuar stabilitetin dhe pajtimin rajonal”.
Bashkimi Evropian tha se sovraniteti, integriteti territorial, rendi kushtetues dhe identiteti ndërkombëtar i Bosnje e Hercegovinës nuk mund të cenohet, duke shtuar se çdo veprim kundër këtyre parimeve do të çojë në pasoja të rënda.
Politikanët nga Mali i Zi Millan Knezheviq, Andrija Mandiq dhe Aleksa Beçiq, të shpallur persona të padëshiruar nga Kroacia.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka njoftuar sot Malin e Zi përmes një note drejtuar Ambasadës së Malit të Zi në Zagreb se Zagrebi ka shpallur kryetarin e Parlamentit malazez, Andrija Mandiq, deputetin Millan Knezheviq dhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiq, persona të padëshirueshëm.
Zagrebi tha se ky vendim u mor për shkak se këta politikanë kanë kryer veprime të vazhdueshme për prishjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për shkak të, siç u tha, abuzimit të Kroacisë për qëllime të brendshme politike.
“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhjen që shumica në Parlamentin e Malit të Zi vendosi të shpërfillë thirrjet e vazhdueshme të Republikës së Kroacisë për të mos ndërmarrë lëvizje që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi. Në këtë kontekst, vihen në pah veprimet e zyrtarëve politikë të përmendur, të cilët nuk mund të konsiderohen dashamirës dhe fqinjësorë në raport me Republikën e Kroacisë dhe as nuk janë në përputhje me qëllimin e deklaruar për anëtarësim të Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, u tha në njoftim.
Sipas Ministrisë kroate, fqinjësia e mirë është një ndër elementët kyçë të procesit të zgjerimit dhe atij të stabilizim asociimit “dhe një nga kriteret kryesore për vlerësimin e përparimit në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi” në Bashkimin Evropian.
Kroacia tha se e mbështet anëtarësim e Malit të Zi në BE.
“Republika e Kroacisë pret që Mali i Zi të sillet në përputhje me vlerat evropiane dhe në frymën evropiane dhe se të përqendrojë përpjekjet e tij në përmbushjen e mëtejshme të kushteve dhe kritereve në procesin e anëtarësimit”, u tha në njoftim.
Mandiq dhe Knezheviq udhëheqin dy parti të ish-Frontit Demokratik prorus, ndërkaq Beçiq është udhëheqës i demokratëve.
Më herët gjatë kësaj jave, Fronti Demokratik u bë pjesë e Qeverisë të Malit të Zi, që udhëhiqet nga kryeministri Millojko Spajiq.
Hyrja në ekzekutiv e Frontit Demokratik dhe të Partisë së Boshnjakëve nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë u prit me shqetësim, pasi Uashingtoni tha vuri në pah se në ekzekutiv kanë hyrë parti që nuk e dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.
Politika e Frontit Demokratik është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është kandidati më serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Lidhur me rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023, Prokuroria e Kosovës ka deklaruar se nuk pritet të ketë aktpadi para vjeshtës të këtij viti, ndërsa hetim paralel thuhet se po zhvillon edhe Prokuroria e lartë në Beograd. Prokuroria e lartë në Serbi ka thënë se EULEX-i nuk u ka dorëzuar raport lidhur me rastin e 24 shtatorit.
Dushan Janjiq, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Serbi, thotë se hetimi për Banjskën nuk është kryer nga prokuroria serbe për shkak të komplikimeve të pritura.
“Nuk ekziston bashkëpunimin në mes organeve të ndjekjes dhe të tjerëve në mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërmjetës do të duhej të ishte EULEX-i. Pasi që rasti nga faktori ndërkombëtar është definuar si krim i organizuar me elemente të terrorizmit, ky është në kompetencë të EULEX-it”, tha Janjiq.
Analisti serb tha për “Nova” se marrja e përgjegjësisë për sulmin nga ana e Milan Radoiçiqit është një taktikë e mbrojtjes që të fitohet në kohë…
“Nuk ka dyshim se bëhet fjalë që të mbrohen nga shteti i Serbisë, jo vetëm Radoiçiqi, sepse ai e ka pranuar përgjegjësinë, por të gjithë atyre 140 njerëzve që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë. Pra është një risk i madh. Prandaj aty përdoren edhe mekanizmat, siç ishte rasti ‘Panda’, ku fshihen ekzekutuesit dhe krijohen kushtet për ikje nga përgjegjësia”, tha analisti serb, transmeton Telegrafi.
Lidhur me pasojat e sulmit terrorist në Banjskë, Janjiq thotë se menjëherë pas këtij rasti ka dalë me dy analiza në media, por dikush “në mënyrë miqësore” i ka thënë se është ngutur me deklarime.
“Ata që presin, fuqitë e mëdha e diplomatët kanë kohë të presin, por unë nuk mund të pres, sepse e ndjej nevojën ta zbulojë të vërtetën për vendin tim. Shtyrja nuk i konvenon Serbisë. Është gabim i madh i Serbisë që ka zgjedhur rrugën e shtyrjes së hetimit dhe duke sajuar kualifikime e rikualifikime të rastit”.
Ai tha se duhet të dihet se çfarë ka ndodhur në Banjskë, me kushtin që edhe kreu i shtetit e di se çfarë ka ndodhur atje.
“Aksione të tilla nuk mund të ndërmerren pa ndihmën asistimin e dikujt, sepse ato formacione paraushtarake janë stërvitur edhe në Rusi, edhe këtu edhe atje… Pra shteti [serb] në njëfarë mënyrë është aty, edhe BIA. Pasi ajo është aty, atëherë ata do të duhej të mbroheshin ndryshe… Kjo se si ata po mbrohen është reflektim i periudhës së Millosheviqit, siç ishte rasti ‘Panda’, kur dërguan dy paramilitarë nga Bosnja dhe i vrasin fëmijët serbë. Dhe ne he ne çfarë bëjmë, krijojmë mjegull …”.
Duke folur për rastin Banjska, ai thotë se ishte një aksion i mirë planifikuar, por që është zbuluar me kohë.
“Pjesëtarët e njësisë special britanike kanë qenë atje më herët [para ndodhjes së sulmit terrorist]… Ne e kemi parë momentin e tërheqjes [së terroristëve serbë], që është bërë në marrëveshje me KFOR-in. Shihen edhe filmimet e tërheqjes”, ka thënë Janjiq.
Ai thotë se “personat që kanë marrë pjesë në operacionin ushtarak apo paraushtarak në Banjskë, kanë qenë një strukturë e organizuar. Ata njerëz kanë qenë të përgatitur dhe nuk bëhet fjalë për amatorë”. sn
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratislav Gashiç, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Milan Mojsilloviç, zhvilluan një vizitë pranë një baze ushtarake afër kufirit me Kosovën. Lajmi është konfirmuar nga vetë ushtria serbe përmes një deklarate.
“Ministri Gashiç dhe gjenerali Mojsilloviç gjatë vizitës së sotme me ushtarët biseduan për detyrat që kryejnë përgjatë vijës administrative me Kosovën, si dhe biseduan edhe për kushtet e jetesës dhe punës”, lexohet në njoftim.
Ata paralajmëruan se do të bëhen ndryshime në objektet infrastrukturore në bazat ushtarake serbe. Gashiç vizitoi dhe një kompleks qitjeje, të destinuar për stërvitje individuale dhe kolektive për situatë luftarake. Në javët e fundit ka pasur akuza të shumta nga krerët e institucioneve dhe inteligjenca e Kosovës se terroristët e Milan Radoiçiç po stërviten në disa baza ushtarake të Serbisë, për sulme të mundshme në veri. sn
Partitë e ish Frontit Demokratik pro-rus dhe Partia Boshnjake, u bënë pjesë e qeverisë së Malit të Zi, pasi parlamenti malazez miratoi të martën me shumicë votash riorganizimin e saj, mes shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara, kundërshtimit të presidentit të vendit dhe të opozitës.
Partitë pro-ruse dhe pro-serbe do të kenë dy poste zëvendëskryeministrash dhe tri ministri, ndërsa boshnjakët një post zëvendëskryeministri dhe pesë ministri.
Qeveria do të ketë 24 poste ministrash dhe 7 poste zv/kryeministrash, gjë që e bën atë më të madhen në historinë e parlamentarizmit në Malin e Zi.
Në fjalën e tij para deputetëve, kryeministri Milojko Spajiç vuri në dukje rëndësinë e qeverisë për të ardhmen e vendit.
“Kjo qeveri është një garantuese i qëndrueshmërisë dhe pjekurisë. Ne jemi shembull se si serbët dhe shqiptarët, serbët dhe boshnjakët, serbët dhe malazezët – të gjithë mund të jetojnë dhe punojnë së bashku. Ne do të jemi një fanar për gjithë Ballkanin”, tha kryeministri malazez.
Riorganizimi i qeverisë u kritikua nga partitë opozitare malazeze, të cilat thanë se hyrja e partive pro-ruse, nënkupton një qeveri që do të drejtohet nga Moska dhe Beogradi.
“Koka dhe truri janë në Moskë. Shefi i kësaj qeverie është (kryetari i parlamentit) Andrija Mandiç dhe në të nuk ka asnjë përfaqësues nga kombi malazez”, tha Andrija Nikoliç nga Partia Demokratike e Socialistëve.
Sipas opozitës këto parti “mbrojnë heqjen e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtarë të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebernicë dhe mbështesin kriminelët e luftës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç të dënuar në Hagë”.
Ky është riorganizimi i parë i qeverisë malazeze e cila u formua në fund të tetorit të vitit të kaluar, duke lënë në opozitë pas gati tre dekadash Partinë Demokratike të Socialistëve të ish presidentit Milo Gjukanoviç.
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht se partitë dhe udhëheqësit që kundërshtojnë vlerat euroatlantike të mos jenë pjesë e pushtetit. Një qëndrim të ngjashëm kanë shprehur edhe institucionet evropiane.
Të martën, ambasada amerikane në Podgoricë shprehu shqetësimin e saj me përbërjen e re të qeverisë.
“Jemi të shqetësuar për përfshirjen në qeveri të partive dhe udhëheqësve që nuk e dënojnë agresionin rus në Ukrainë, kundërshtojnë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe veprimet e të cilëve janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore“, tha ambasada amerikane në një përgjigje për Zërin e Amerikës.
“Si aleat dhe partner i ngushtë i Malit të Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin dhe njohin veprimet konstruktive të parlamentit dhe qeverisë, duke vënë në dukje aktivitete që janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike dhe rrezikojnë përparimin e prekshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane, duke u bërë thirrje qeveria dhe deputetëve të qëndrojnë të përqendruar në qëllimin e përbashkët të anëtarësimit në BE dhe të shmangin çështjet që nxisin përçarje.
Para seancës së parlamentit, presidenti malazez Jakov Milatoviç, tha se “Mali i Zi sot është viktimë e tregtisë më primitive politike dhe papërgjegjshmërisë që kryeministri vazhdimisht e demonstron ndaj drejtimit të vendit”.
Në një postim në platformën e medieve sociale X, presidenti shkroi se “kur menduam që asgjë nuk mund të na befasojë më, sot jemi dëshmitarë të një tjetër mashtrimi dhe fyerjeje ndaj mendjes së shëndoshë të qytetarëve të Malit të Zi. Pasi u bë e qartë për qytetarët se ideja e ndryshimit është tradhtuar, rrënimi i jetës politike dhe i proceseve demokratike vazhdon. Mostransparenca, mungesa e parimeve dhe tregtia me interesat shtetërore, arrijnë kulmin me votimin e qeverisë më të madhe në historinë e Malit të Zi, qëllimi i së cilës është mbrojtja e interesave individuale, e jo përmirësimi i shoqërisë sonë dhe rruga evropiane e vendit”.
Mali i Zi, një vend anëtar i NATO-s që nga viti 2017, konsiderohej si vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim.
Por, për shkak të krizës politike dhe institucionale, që nga dhjetori vitit 2021 Mali i Zi nuk ka pasur një konferencë ndërqeveritare me BE-në, për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit.
Opozita serbe ka paraqitur një plan ku përfshihen disa pika. Anëtarët e opozitës, Çedomir Stojkoviç dhe Ivan Videnoviç deklaruan se Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë, ambasadori rus duhet të ndalohet, shërbimet e inteligjencës serbe duhet t’i nënshtrohen Perëndimit dhe Ukrainës duhet t’i jepet municion dhe armë.
Po ashtu, ata kanë theksuar se duhet të njihet shteti i Kosovës. Sipas opozitës, kjo është politika që e çon Serbinë në të ardhmen.
“Kjo politikë duhet të jetë si më poshtë: vendosja e sanksioneve kundër Rusisë në të njëjtën mënyrë si BE-ja dhe të gjithë anëtarët e saj; ndalimi i mediave të kontrolluara nga Rusia në territorin e Serbisë; dërgimi i armëve dhe municioneve në Ukrainë për mbrojtjen e saj; reforma e plotë dhe urgjente e shërbimeve inteligjente të Serbisë dhe strukturës dhe organizimit të saj sipas modelit dhe vlerave të shërbimeve perëndimore; barazimi i pozitës dhe statusit të personave të zhvendosur përkohësisht nga territori i Ukrainës me statusin që ata kanë në vendet e BE-së, kryesisht në Poloni, Republikën Çeke dhe Gjermani; Deklarimi i ambasadorit rus si persona non-grata në Serbi është një domosdoshmëri“, deklaroi Stojkoviç.
Ndërsa kolegu i tij Ivan Videnoviç theksoi se anëtarësimi i Serbisë në NATO, “aleancë me ushtrinë e Kosovës”, por edhe një politikë fqinjësie e hapur me Kosovën janë të rëndësishme.
“Postulati i dytë është parashtrimi i kërkesës së Serbisë për anëtarësim në NATO. Ne synojmë ta përkthejmë në realitet këtë politikë që kemi thënë këtu”, shtoi Stojkoviç./KlanMacedonia
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se Perëndimi po përgatitet për luftë direkte me Rusinë, madje sipas tij më shpejt sesa shumëkush mund të shohë dhe kuptojë.
“Ata po përgatiten tashmë për një konflikt me Federatën Ruse dhe po përgatiten shumë më shpejt sesa disa njerëz pëlqejnë të shohin në çdo kuptim.
Ne e dimë këtë nga përgatitjet ushtarake, ne e dimë sesi po shkojnë ato. Po ju them se ata po përgatiten për një konflikt ushtarak”, tha Vuçiç.
Sipas tij arsyet e luftës janë strikt ekonomike dhe energjetike: Rusa ka shumë naftë, gaz, fosfate, ar dhe argjend dhe çdo gjë që Perëndimi ka nevojë.
Vuçiç po ashtu ka sjellë në vëmendje edhe ato që agjencia ruse e lajmeve Tass, i quan “ide nga vendet skandinave sipas të cilave Rusia nuk meriton të ketë një territor të tillë, pasi Rusia është provincë e të gjithë njerëzimit”. sn
Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka thënë të premten se është vrarë personi që në orët e para të së enjtes vrau një polic në Serbi.
Identiteti i personit të vrarë nuk është përmendur në komunikatën e lëshuar nga autoritetet serbe në pasditen e 19 korrikut.
Vrasja e policit Nikolla Kërsmanoviq ka ndodhur në orët e para të së enjtes kur policia e ka ndalur veturën në të cilën ka qenë i dyshuari, për një kontroll rutinor.
Që nga 6 korriku, Faton Hajrizi, shtetas i Kosovës, kishte qenë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës.
Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artanit, të cilat janë gjetur në vendngjarje pas vrasjes së policit serb. Ndërkohë, Artani është paraqitur para autoriteteve në Gjermani – ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.
Ministria e Brendshme e Serbisë, më herët gjatë së premtes po ashtu publikoi fotografinë e Faton Hajrizit dhe u bëri thirrje qytetarëve për bashkëpunim.
Autoritetet kryen kontrollet në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi dyshonin se personi që kreu vrasjen mund të ishte nisur në atë drejtim, raportoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS) më 19 korrik.
Sipas ndihmësdrejtorit të policisë Dragan Vasileviq, helikopterët dhe dronët u përfshin në kërkim.
Autoritetet serbe e kanë konsideruar sulmin si terrorist.
“Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar do ta konsiderojë rastin si një akt terrorist, sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, ka thënë të enjten ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.
Kush janë Artan dhe Faton Hajrizi?
Artan Hajrizi, një profil që u bë publik nga autoritetet e Serbisë si i dyshuar për vrasjen e një zyrtari policor në Serbi, është vëllai i Faton Hajrizit, i arratisur nga burgu në Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda familjes.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit (sipas autoriteteve të Serbisë), i lindur më 1991, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Radio Evropa e Lirë ka analizuar disa nga profilet e shumta të Artan Hajrizit, në rrjetet sociale që konfirmojnë lidhjen e tij me Faton Hajrizin. REL-i po ashtu ka biseduar edhe me burime brenda familjes që kanë konfirmuar se Artani dhe Fatoni janë vëllezër.
Ky burim pretendon se “Artani gjendet në Gjermani dhe se sot ka njoftuar se dokumentet e tij nuk janë në banesë”.
“Artani nuk ka njohuri dhe as nuk ka qenë në rast. Atij i ka humbur pasaporta”.
Kontakti me Artanin nga REL-i nuk ka qenë i mundshëm deri në publikimin e këtij teksti.
Artan Hajrizi foli publikisht të enjten për portalin Insajderi përmes një videolidhjeje.
Artani, i cili pretendoi që gjendej në polici në Gjermani, tha se vëllai i tij e kishte vizituar për disa orë dhe se ia ka vjedhur dokumentet e tij identifikuese.
“Ai ka shkuar para dy ditësh. Unë dokumentet i kam lajmëruar të humbura. Unë nuk jam fajtor për këtë punë”, tha Artani në këtë incizim.
Ai tha se nuk ka pasur kontakt me vëllain e tij që nga ajo kohë.
Gjatë ditës, mediat vendore kanë raportuar po ashtu se kanë biseduar me babanë e Artanit, Mustafë Hajrizi, i cili citohet të ketë thënë se “Fatoni ia ka vjedhur pasaportën Artanit”.
Asnjë nga këto pretendime nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet e Kosovës.
Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra penale në Kosovë, ishte arratisur ditë më parë nga Burgu i Smrekonicës në Kosovë.
Ai ka histori të arratisjeve të shpeshta nga burgjet kosovare.
Hajrizi fillimisht është dënuar në janar të vitit 2000 për vrasjen e një ushtari rus në qendër të Skenderajt, kur ishte vetëm 15-vjeçar. Për këtë vrasje është dënuar me 6 vjet burgim.
Sipas Daçiqit një person është arrestuar lidhur me këtë rast në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës.
Ai ka thënë se i arrestuari dyshohet se ka “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që të mos politizohet ky rast.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz në konferencë të përbashkët për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Beograd.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë të premten në Beograd se projekti Jadar, i cili parasheh krijimin e një miniere litiumi në pjesën perëndimore të Serbisë, është gjë e mirë për këtë vend.
Scholz dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviq, kanë theksuar se gjatë mihjes së këtij minerali të rëndësishëm, do të respektohem standardet më të larta për ambientin.
Të dy zyrtarët kanë folur për përfitimet prej projektin për mihje të litiumit, teksa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është përballur me kundërshtimet e ambientalistëve dhe banorëve të zonës, të cilat kanë shqetësime për mjedisin.
Përgjatë Samitit për Lëndët e Para të Qëndrueshme në Beograd, blloku evropian dhe Serbia kanë nënshrkuar memorandum mirëkuptimi për partneritet strategjik lidhur me lëndën e parë të qëndrueshme, rrjetin e prodhimit të baterive dhe makinave elektrike.
Ky takim ka ndodhur pak ditë pasi Qeveria e Serbisë e ka rishikuar projektin Jadar, i cili parasheh hapjen e një miniere të litiumit në luginën e Jadrës në Serbi nga gjiganti botëror, Rio Tinto.
Scholz ka thënë në një konferencë të përbashkët me Shefçoviqin dhe Vuçiqin se Jadar është projekt evropian.
Sipas kancelarit gjerman, litiumi do të jetë po aq i rëndësishëm për lëvizshmërinë në të ardhmen, ashtu sikurse ka qenë nafta deri më tani.
Ai ka thënë se projekti është pozitiv për shumë arsye, përfshirë rritjen e perspektivës dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Serbi.
“Vendimi kërkon kurajë, po marrim një hap të rëndësishëm, duke nxjerrë litium në Serbi ne mund t’i përmbushim synimet për klimën”, ka thënë Scholz, duke shtuar se “kemi nevojë për bateri”.
Bashkimi Evropian është duke tentuar të zvogëlojë varësinë ndaj importeve të Kinës, derisa Gjermania është prodhuesja më e madhe e makinave elektrike në Evropë, të cilat funksionojnë me bateri të litiumit.
Vuçiq ka thënë pas nënshkrimit të memorandumit se është i lumtur “për atë që ka nisur sot”.
“Kjo është e rëndësishme për Evropën, për Gjermaninë, mirëpo për neve në Serbi është ndoshta me më së shumti rëndësi. Kjo përbën pikë kthese dhe mundësi të madhe për ne”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se bashkëbiseduesve nuk ua ka fshehur vështirësitë me të cilat përballet Qeveria e Serbisë për mihjen e litiumit.
Presidenti serb ka thënë se Serbia do të insistojë në mbrojtje të ambientit, duke e konsideruar “aspekt thelbësor”. REL
Pikë kalimi në Lloznicë mes Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq, ka thënë se një zyrtar policor është vrarë në Lloznicë – qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnje e Hercegovinën – në orët e para të së enjtes, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.
Policia serbe është në kërkim të sulmuesit.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit – i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, ministria e Brendshme gjermane nuk e ka komentuar këtë rast.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së policit të vrarë, të cilin e ka përshkruar si hero.
“Jam jashtëzakonisht i tronditur me lajmin për vdekjen e zyrtarit policor, Nikolla Kërsmanoviq, i cili është vrarë në një sulm tinëzar derisa ka qenë duke kryer detyrën e tij të vështirë”, ka thënë Vuçiq përmes një komunikate të lëshuar nga Presidenca serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka për të shtuar asgjë përveç asaj që është publike për këtë rast dhe që organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione.
Ai ka bërë thirrje që të mos politizohet ky rast.
“Autoritetet tona kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Policia, do ta informojnë publikun për gjendjen aktuale se ku jemi dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen. Edhe unë pres që të japin deklaratat e tyre profesionale, sepse ne besojmë se kjo çështje nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si e tillë, nga pikëpamja e sigurisë, ligjore dhe profesionale”, ka thënë Kurti në një konferencë për media në mëngjes.
Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se po ndjek nga afër zhvillimet përmes Zyrës së saj Ndërlidhëse në Beograd.
Çfarë tha Ministria e Brendshme serbe?
Sipas një deklarate të lëshuar nga Ministria e Brendshme, Daçiq ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, e kanë ndaluar një makinë të llojit Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.
Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviq në gjoks, dhe zyrtarin policor Vjekosllav Illiq në shpatull, dhe më pas ka ikur.
Të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Llozninës, dhe Kërsmanoviq ka vdekur prej plagëve të marra.
Në operacionet e kërkimit janë përfshirë dronë dhe helikopterë. REL
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis priti sot në Athinë Fredi Belerin, eurodeputetin e zgjedhur të Demokracisë së Re, i cili është nisur drejt Strasburgut për të kryer betimin pas lejes së marrë nga autoritetet shqiptare.
“Shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu, që ky kapitull i dhimbshëm të mbyllet për të gjithë ne, që të ecim përpara, të shohim përpara”, tha Mitsotakis duke iu drejtuar Belerit.
Në të njëjtën kohë, kryeministri grek theksoi se Shqipëria po afrohet më shumë me Europën, për sa kohë që i përmbahet me përpikëri angazhimeve të saj europiane.
“Konsideroj se sundimi i ligjit, e drejta për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur nuk janë të vetëkuptueshme në vendin ku jetoj. Dua t’i ndihmoj ”, tha Beleri sipas medias greke Kathimerini.
Mëngjesin e sotëm Fredis Beleri kaloi portat e burgut të Fierit pasi siguroi lejen pesëditore që kishte kërkuar për të shkuar në Strasburg për t’u betuar si deputet i Parlamentit Europian.
Dialogu mes Mitsotakis dhe Belerit:
Mitsotakis: Kam shumë arsye, i dashur Fredi, të jem i lumtur t’ju mirëpres sot në Megaro Maximos. Së pari, më lejoni t’ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si eurodeputet grek tani, në Bruksel dhe Strasburg, me Demokracinë e Re. Jam i sigurt se do t’i përmbushni plotësisht detyrat tuaja.
Më lejoni t’ju them se sa i lumtur jam që kjo aventurë e madhe duket se po i vjen fundi. Është e vetëkuptueshme, ju keni marrë licencën që të mund të ushtronit detyrat tuaja dhe të bënit betimin. Shpresoj që shumë shpejt të dilni përgjithmonë nga burgu, që ky kapitull i dhimbshëm të mbyllet për të gjithë ne, që të vazhdojmë përpara, të shohim përpara.
Beleri: Do të doja t’ju falënderoja personalisht që më keni mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe. Unë do të nderoj besimin që më keni dhënë duke më futur në fletën e votimit europian. Mendoj se në shtetin ku jetoj nuk është e vetëkuptueshme shteti ligjor, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Unë dua t’i ndihmoj ata. Të ndihmojë pakicën kombëtare greke të qëndrojë në shtëpitë stërgjyshore, por edhe që ky shtet të afrohet dhe të bëhet anëtar i familjes europiane.
Mitsotakis: Kjo është ajo që duam edhe ne, dhe ju duhet ta dini – përveç kësaj, unë mendoj se e kam vërtetuar këtë në praktikë – se unë qëndroj pranë njerëzve të pakicës kombëtare greke. Ne kemi të gjitha arsyet për të kërkuar një Shqipëri që bën progres në këto çështje, që i afrohet Evropës, por që i përmbahet rreptësisht angazhimeve të saj evropiane. Mendoj se ky është një qëllim i përbashkët për të cilin ne të gjithë duam të punojmë. bw
Në Athinë ka mbërritur pak pas orës 12:30 Fredi Beleri, i cili u lirua sot nga burgjet shqiptare me një leje 5-ditore, për të shkuar në Strasburg për të bërë betimin si deputet i Parlamentit Europian.
Eurodeputeti i Demokracisë së Re u prit në aeroport nga ish-ministri i Shtetit, Stavros Papastavrou dhe deputeti i ND-së, Angelos Syrigos. Fredi Beleri shoqërohej nga bashkëshortja e tij.
Në deklaratat e tij për gazetarët ai u shpreh “i lumtur dhe i emocionuar për të përqafuar sërish popullin tim”, por edhe “krenar që shkova të marr detyrën si eurodeputet, të luftoj për të mbrojtur të drejtën e atdheut tonë dhe të grekëve kudo që jetojnë”.
Fredi Beleri falënderoi “kryeministrin grek për besimin, për zgjedhjen e tij. Ai dëshmoi se është udhëheqësi i gjithë helenizmit dhe mbron grekët kudo që janë”.
Gjithashtu, ai tha “dua të falënderoj bashkëpunëtorët e tij të ngushtë që më kanë qenë pranë që në momentin e parë. Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur. Mediat që kanë qenë me mua që në fillim në këtë skemë të padrejtë. Aventurës sime po i vjen fundi. Lufta për demokraci, shtet ligjor dhe të drejta civile vazhdon”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë, ai nënvizoi se “unë jam i pafajshëm, këtë po thonë edhe shqiptarët” dhe se “mbështetja e familjes, miqve dhe mund të them shumicës së grekëve i jep forcë dhe kurajo”.
Po ashtu ai u dërgoi një mesazh himariotëve “që nuk janë vetëm, kanë nënë Greqinë për t’i mbrojtur, kërkesat e tyre janë të drejta, herët a vonë do të shfajësohen”.
Së fundi, ai theksoi se “BE nuk duhet të lejojë që vullneti i njerëzve të mos respektohet kudo që janë në Evropë në përgjithësi”.
Në këtë kohë, eurodeputeti i ND takohet me Kyriakos Mitsotakis në Megaros Maximos. bw
Ish-presidenti i Malit të Zi ka njoftuar autoritetet, se ka në dispozicion informacione se po përgatitet një atentat ndaj tij. Mediat malazeze shkruajnë se një burim i afërt me Gjukanoviç, tha se një zyrtar i lartë ushtarak i huaj nga Kosova e informoi atë se një grup i organizuar kriminal nga një vend fqinj dyshohet se po planifikonte të kryente një atentat, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së një vendi tjetër fqinj.
Por autoritetet policore në Mal të Zi raportojnë se nuk kanë të dhëna për aktivitete të planifikuara që kanë për qëllim rrezikimin e sigurisë së ish-presidentit Milo Gjukanoviç.
‘Në bazë të nenit 18 të Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, me përfundimin e detyrës, Presidenti ka të drejtë në sigurim të përhershëm personal në përputhje me vlerësimin e sigurisë të përcaktuar nga organi kompetent, në përputhje me ligjin. Në përputhje me rregulloret pozitive, Agjencia e Sigurisë Kombëtare është përgjegjëse për përgatitjen e raporteve për vlerësimin e sigurisë së kërcënimeve’, ka deklaruar Drejtoria e Policisë. sn
Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka thënë se shteti i tij do të dyfishojë prezencën ushtarake në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s përgjatë vitit 2025, shkruan agjencia sllovene e lajmeve.
Ai ka thënë se prezenca ushtarake e NATO-s në Ballkanin Perëndimor është rritur me nismë të presidentit amerikan, Jobe Biden, duke qenë se ai e njeh rajonin mjaftë mirë.
Liderët e shteteve të NATO-s kanë qëndruar në Washington ku edhe është mbajtur Samiti i NATO-s me fokus Ukrainën. Në kuadër të disa organizimeve të Samitit e ftuar ka qenë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani me ftesë të Biden ka përfaqësuar Kosovën në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s në Washington D.C. sn
Gjykata e Lartë në Podgoricë, liroi të gjithë personat e akuzuar për përfshirje në një përpjekje për grusht shteti në vitin 2016, me qëllim të parandalimit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.
Kryesuesi i Këshillit të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, Zoran Radoviç, tha duke shpallur vendimin e lirimit se “nuk ka pasur prova se të pandehurit janë fajtorë për veprat me të cilat ngarkohen, andaj ata lirohen nga akuzat”.
Vendimi liroi nga akuzat shtetasit rusë Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, agjentë të dyshuar të shërbimit ushtarak rus të zbulimit, GRU, që ngarkoheshin me organizimin dhe financimin e një organizate kriminale, me qëllim të rrëzimit të qeverisë së Malit të Zi.
Gjykata e Lartë vendosi lirimin nga akuzat edhe të udhëheqësve të Frontit Demokratik pro-rus, kryetarin aktual i Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiç, deputetin Milan Knezheviç dhe bashkëpunëtorin e tyre Mihailo Çagjenoviç, si dhe gjeneralin në pension të xhandarmërisë serbe Bratislav Dikiç si dhe shtatë peronave të tjerë, shtetas serbë.
Askush nga Prokuroria e Posaçme e Malit të Zi nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit.
Të gjithë personat e liruar qenë dënuar më gjithsej 70 vjet heqje lirie në vitin 2019, por dy vjet më pas, Gjykata e Apelit e riktheu çështjen në rigjykim.
Ata akuzoheshin se kishin planifikuar të pushtonin parlamentin e vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm Milo Gjukanoviç dhe për të vendosur një udhëheqje pro-ruse.
Zyrtarët rusë i kishin hedhur poshtë pretendimet duke i cilësuar ato si “absurde”.
Mali i Zi, vendi i vogël në breg të Detit Adriatik, i cili u pavarësua nga Serbia në vitin 2006, në vitin 2017 u bë anëtari i 29-të i NATO-s, duke nxitur zemërimin e Moskës e cila kundërshton përfshirjen e Ballkanit në aleancën ushtarake perëndimore.
Kryeprokurori italian, Francesco Lo Voi gjatë një dëshmie të dhënë në Komisionin Parlamentar Antimafia në Itali, ka folur për sigurinë dhe kriminalitetin në kryeqytetin romak.
Ai ka deklaruar se në Romë dhe rrethinat e saj ekziston një mafia, ku në disa hetime janë gjetur marrëdhënie mes kriminelëve të pastër dhe kriminelëve “politikë’. Sipas tij, realiteti romak është një realitet kompleks që luftohet çdo ditë me ato pak armë që ka në dispozicion prokuroria e kryeqytetit, e cila është vazhdimisht edhe pa staf.
Bashkë me të ka dëshmuar në komision edhe kryetarja e Drejtorisë Antimafia të Qarkut, Ilaria Calò, ku dy magjistratët prekën pikat vendimtare të luftës kundër krimit të organiozuar.
Calò shpjegoi se si mafia shqiptare ka bërë kapërcimin përfundimtar në cilësi në qytetin romak, duke u kthyer nga një mafia lokale në një ndërmjetësuese ndërkombëtare droge. Për më tepër, sipas saj, disa kriminelë kinezë janë bërë pikë referimi për pastrimin e parave.
Lo Voi më pas paralajmëroi institucionet për orekset e mafias rreth parave ‘Pnrr’ dhe ‘Jubilare’ dhe nënvizoi se si marrëdhënia midis krimit romak dhe disa qarqeve politike po bëhet gjithnjë e më e ngushtë.
‘Nëse në Romë do të krijohej një bashkim i qëllimeve midis aspekteve thjesht kriminale dhe shfrytëzimit të disa sektorëve politikë, do të ishte i rrezikshëm. Një skenar që kërkon kontrolle të mëtejshme hetimore’, tha Lo Voi.
Në disa hetime janë gjetur tashmë marrëdhënie midis kriminelëve të pastër dhe kriminelëve “politikë”. Kjo është arsyeja pse në prani të një situate veçanërisht komplekse, të vështirë për t’u përballuar, nëse do të krijohej një bashkim synimesh mes krimit dhe sektorëve politikë, gjithçka do të ngrihej në një nivel më të lartë.
Prania e krimit të tipit mafioz vazhdon të ndihet në qytetin e Romës, në qendrat e zonës metropolitane dhe në provincat e tjera të Lazios me karakteristikat e mafias tradicionale, të cilat e kanë të lehtë të riinvestojnë paratë e paligjshme në aktivitetet e pastrimit të parave në format më të ndryshme, jo vetëm ndërtimi, por edhe hotelerie, shërbime dhe logjistike” – ka deklaruar ai.
Dhe përsëri, tha ai, ‘Ekziston një rrezik konkret, dhe ne tashmë kemi prova për ta thënë këtë, që fondet për Pnrr dhe për Jubileun mund të tërheqin oreksin e organizatave mafioze në Romë falë përdorimit të disa fytyrave të pastra, sepse duke folur mafiozi nuk shfaqet kurrë’. sn
Nëse ka pasur një prishje në samitin e NATO-s të kuruar me kujdes të kësaj jave, ky është Viktor Orbán, kryeministri konservator hungarez që ka zemëruar aleatët e tij të NATO-s duke u takuar me Vladimir Putinin dhe Xi Jinping gjatë rrugës për në Uashington, në atë që ai e quajti “misionin e paqes”.
Të enjten, kryeministri hungarez po planifikon të fluturojë për në Mar-a-Lago për t’u takuar me Donald Trump, tha një burim i afërt me Orban për Guardian, pasi ai kërkon të negociojë një marrëveshje paqeje pa u konsultuar me vendet e tjera të BE-së ose administratën Biden. Në të kundërt, ai ka shmangur në mënyrë efektive Joe Biden në samitin e kësaj jave të NATO-s dhe nuk ka kërkuar një takim dypalësh me presidentin amerikan, sipas tre burimeve të njohura me përgatitjet e samitit.
Kryeministri hungarez ka kërkuar në heshtje të negociojë një zgjidhje për luftën e Ukrainës me synimin për rizgjedhjen e Trump. Epërsia e Trump në sondazhet presidenciale është forcuar nga performanca e keqe e Biden në debatin me Trump dhe pyetjet rreth aftësisë së tij mendore dhe moshës.
Orbán, i cili gjithashtu u takua me Volodymyr Zelenskiy në Kiev në fillim të këtij muaji, ka kërkuar që Ukraina dhe Rusia të ulen për negociata të drejtpërdrejta, bisedime që Zelenskiy i ka përjashtuar në të kaluarën.
Bloomberg News vonë të mërkurën në mbrëmje raportoi se Ukraina po shqyrtonte bisedimet e reja të paqes që do të përfshinin takime me zyrtarët rusë, si dhe një takim të mundshëm midis Trump dhe Orban në Mar-a-lago, ku të dy do të diskutonin takimet e fundit të Orbanit me Putinin dhe Zelenskiy.
Dhe Orbán mund të përdorë kontrollin aktual të Hungarisë mbi presidencën e Këshillit Evropian për të pretenduar se po negocion në emër të vendeve të tjera të BE-së, sipas burimeve të brendshme në Budapest, Bruksel dhe të dy fushatat në Uashington, duke përfshirë edhe me një president potencial të zgjedhur si Trump.
Orbán ndau vetëm një shtrëngim duarsh me presidentin e SHBA-së të mërkurën, një ditë pas takimit me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, për të cilin ai tha se drejtonte “vendin e vetëm që ka vepruar me sukses si ndërmjetës midis palëve ndërluftuese në luftën ruso-ukrainase”.
Vëzhguesit nuk prisnin që Biden të zhvillonte një takim dypalësh me Orban.
“Biden mund të mos jetë i interesuar të lartësojë Orbanin dhe ta shpërblejë atë pas performancës së tij në Moskë dhe Pekin”, tha Daniel Hegedüs, një bashkëpunëtor i lartë në qendrën Marshall. “Dhe për Orbanin, i cili luan lojën e gjatë, kërkimi i një takimi me Trump është sigurisht zgjidhja më strategjike se çdo takim me Biden”.
“Çështja e vërtetë e udhëtimit është nëse Trump do t’i japë Orbanit një audiencë dhe nëse [Orbán] do të organizojë takimin në ndonjë mënyrë që lidhet me presidencën e vazhdueshme të Këshillit të BE-së të Hungarisë,” tha ai.
Një person i njohur me planet e Trump tha se ish-presidenti kishte planifikuar të qëndronte në Florida deri të premten, kohë kur ai do të fluturonte për në Filadelfia për një tubim dhe se nuk kishte kohë “as hipotetike” për t’u takuar me Orbanin më pas. Kjo e la të enjten si ditën e vetme që Orbán mund të fluturonte për t’u takuar me kandidatin republikan.
Trump do të ishte gjithashtu i kujdesshëm ndaj përpjekjes së Orbanit për ta pozicionuar veten si një ndërmjetës pushteti në Evropë, tha i njëjti burim. Bloomberg News raportoi se Trump nuk i kishte kërkuar Orbanit që të negocionte marrëveshjen e paqes për të.
Orbán nuk ka pasur një takim zyrtar me Biden për katër vitet e fundit, por u takua me Trump në mars të këtij viti në kompleksin e tij buzë detit në Mar-a-Lago. Orbán e mbështeti atë disa herë gjatë tetë viteve të fundit dhe i shprehu mbështetje, duke e quajtur atë “njeri të nderit” pasi Trump u shpall fajtor për 34 akuza në një gjyq penal.
Gjatë një konference për shtyp në Budapest të hënën, shefi i shtabit të Orbanit, Gergely Gulyás u pyet nëse Trump dhe Orbán do të takoheshin gjatë vizitës së tij në SHBA. “Ia vlen të takosh njerëz që janë të interesuar për paqen,” u përgjigj ai.
Ata në ekipin e tij e kanë bërë të qartë mbështetjen e tyre për Trump në zgjedhjet e ardhshme. Në Uashington, drejtori i tij politik Balázs Orbán doli në skenë në konferencën e Konservatorizmit Kombëtar të krahut të djathtë, ndërsa ministri i tij i jashtëm Peter Szijjarto i tha Reuters: “Ne shohim një shans për paqe nëse Presidenti Trump fiton. Ne shohim një shans për marrëdhënie të mira Hungari-SHBA nëse presidenti Trump fiton.”
“Unë mendoj se duhet të ketë një ndikim shumë të fortë të jashtëm për t’i bërë ata të negociojnë të paktën”, tha ministri i jashtëm Peter Szijjarto për Reuters të mërkurën. “Kush ka shansin për këtë në periudhën e ardhshme? Ky është vetëm Presidenti Trump nëse ai zgjidhet.”
Vizita e Orbanit në Moskë – e dyta nga një lider evropian që nga pushtimi i Ukrainës nga Putin në shkurt 2022 – shkaktoi bujë si në NATO ashtu edhe në BE, ku Hungaria është shtet anëtar. Në një letër drejtuar Charles Michel të Këshillit Evropian të parë nga Guardian, Orbán shprehu një pikëpamje gjerësisht pro-ruse për konfliktin, duke thënë: “Koha nuk është në anën e Ukrainës, por në anën e forcave ruse”.
Ai gjithashtu argumentoi kundër izolimit strategjik të Rusisë që është kërkuar nga shumica e vendeve perëndimore. “Mundësia për paqe zvogëlohet nga fakti se kanalet diplomatike janë të bllokuara dhe nuk ka dialog të drejtpërdrejtë midis palëve që kanë një rol udhëheqës për të luajtur në krijimin e kushteve për paqen”, shkroi ai, duke argumentuar qëndrimin kundër izolimit të Rusisë.
“Udhëheqja politike e ofruar nga Shtetet e Bashkuara është e kufizuar, për shkak të fushatës zgjedhore në vazhdim … prandaj nuk mund të presim asnjë propozim të tillë nga SHBA në muajt e ardhshëm,” shkroi ai.
“Unë do të vazhdoj bisedimet e mia që synojnë qartësimin e mundësive për paqe javën e ardhshme,” shtoi ai pa sqarime.
Hungaria ishte mes një grupi të vogël vendesh që kundërshtuan një premtim financiar vjetor të propozuar nga Jens Stoltenberg dhe kundërshtuan përfshirjen në komunikatën përfundimtare të NATO-s se pranimi i Ukrainës në aleancën ushtarake të NATO-s do të ishte “i pakthyeshëm”. Në maj, Hungaria bllokoi një paketë ndihme prej 6.6 miliardë eurosh (7.1 miliardë dollarë) për Ukrainën që po përgatitej nga vendet e BE-së si pjesë e Fondit Evropian të Paqes (EPF) për gati një vit.
Hungaria u qortua ashpër në një takim të diplomatëve të lartë të BE-së të mërkurën, gjatë një diskutimi për “misionet e paqes” të Orbanit të vendosura në axhendë nga Polonia, një nga aleatët më të vendosur të Ukrainës.
Ambasadorët e BE-së nga 25 shtete anëtare – të gjitha përveç Hungarisë dhe aleatit të saj të ngushtë Sllovaki – dënuan vizitat e fundit të Orbanit në Moskë, Pekin dhe Azerbajxhan, ku ai mori pjesë në një takim të Organizatës së Shteteve Turke.
Disa e akuzuan Budapestin për mungesë respekti dhe shkelje të traktateve të BE-së; të tjerë akuzuan Budapestin se kërkon të “instrumentalizojë” presidencën e tij.
“U deshën nëntë ditë që presidenca e HU-së të humbiste çdo grimë besimi që i kishte mbetur”, tha një diplomat i BE-së. “Veprimet e tij [të Orbanit] nuk i shërbejnë BE-së apo paqes. Ata luajnë në duart e Putinit dhe projektit të tij të luftës. Slogani hungarez për ‘Ta bëjmë Evropën përsëri të Madhe ‘ ka të bëjë më shumë për ta bërë Rusinë përsëri të madhe në këtë fazë.
Një diplomat i dytë i BE-së tha: “Ishte shumë unanime në mënyrën se si 25 vendet anëtare morën fjalën dhe kritikuan ashpër Hungarinë.” The Guardian kupton se asnjë ambasador i BE-së në këtë takim nuk përmendi heqjen e presidencës nga Hungaria, megjithëse ideja u diskutua më shumë privatisht përpara periudhës gjashtëmujore të Budapestit.
Ndërsa akademikët kanë argumentuar se BE mund të heqë presidencën nga Hungaria, diplomatët e BE janë të ndarë në ligjshmërinë e masës dhe janë të kujdesshëm për krijimin e një precedenti. Zyrtarët po diskutojnë mënyra të tjera për të regjistruar pakënaqësinë, të tilla si dërgimi i zyrtarëve në takimet ministrore, megjithëse diplomati i parë i BE tha se ishte “shumë herët për detaje”. bw
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nënshkroi gjatë punimeve të Samitit të NATO-s në Uashington, Letrën e Qëllimit për sigurimin e Lëvizshmërisë Ushtarake përgjatë Korridorit VIII Pan-Europian, me homologët e tij të Italisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Përmes këtij dokumenti, shtetet angazhohen të marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar maksimumin e fleksibilitetit të lëvizshmërinë ushtarake në territoret e tyre në mbështetje të implementimit të agjendës së NATO-s për shkurajimin dhe mbrojtjen në zonën euro-atlantike.
Një angazhim i tillë do të shërbejë jo vetëm për misionet NATO, por edhe ato në kuadër të Bashkimit Europian.
Në thelb ky dokument i firmosur nga ministri Niko Peleshi, ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto, ministri bullgar i Mbrojtjes Atanas Zaprianov dhe ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut Vlado Misajlovski, u jep mundësi trupave ushtarake NATO-s të zhvendosen shpejt dhe lirshëm nga Deti Adriatik në Detin e Zi si dhe të depërtojnë në thellësi të Ballkanit, nëse do të jetë e nevojshme.
Ideja për të patur një dokument të tillë, i cili do të garantojë lëvizshmërinë përgjatë vendeve që preken nga Korridori VIII Pan-Europian është propozuar nga Shqipëria, e cila drejtoi të gjithë procesin e negocimit dhe koordinimit. Italia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, përgjatë të gjithë procesit ndërvepruan dhe u angazhuan për ta finalizuar këtë nismë gjatë punimeve të Samitit të Uashingtonit.
Nënshkrimi i Letrës së Qëllimit vjen në mbështetje të vizionit që Shqipëria ka për Korridorin VIII si edhe të master-projektit për ndërtimin e Bazës Detare NATO në Porto Romano, që do të shërbejë si porta kryesore hyrëse në Ballkanin Perëndimor dhe më tej, në Detin e Zi.
Letra e Qëllimit do të rrisë vizibilitetin e projekteve të përbashkëta si dhe rëndësinë gjeostrategjike të tyre për të gjithë rajonin. bw
Pjesëmarrësit në maratonën e motoçikletave u nisën nga Sarajeva drejt Srebrenicës, 10 korrik 2024.
Një kolonë motoçiklistësh, pjesëmarrës në maratonën “Të mos harrohet dhe të mos përsëritet”, u nis të mërkurën nga Sarajeva për në Srebrenicë, ku, më 11 korrik, do të përkujtohet përvjetori i 29-të i gjenocidit kundër boshnjakëve.
Kjo është maratona e 13-të e tillë, në të cilën marrin pjesë rreth 1.000 motoçiklistë dhe e cila i kushtohet përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
Motoçiklistët vijnë nga vende të ndryshme, përfshirë: Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë, Slloveninë, Austrinë, Gjermaninë, Italinë, Suedinë, Zvicrën, Turqinë, Malin e Zi dhe Serbinë.
Ata duhet të mbërrijnë në Qendrën Përkujtumore Potoçari të mërkurën pasdite.
Atje do të varrosen të enjten eshtrat e 14 viktimave të gjenocidit, që u identifikuan gjatë vitit të kaluar.
Viktima më e re është Beriz (Omer) Mujiq, i cili në kohën kur ndodhi krimi më 1995, ishte 17 vjeç, ndërsa viktima më e vjetër është Hamed Salliq, atëkohë 68 vjeç.
Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Me një vendim në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin si gjenocid.
Deri më tani, më shumë se 50 persona janë të dënuar me më shumë se 700 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.
Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. REL
Një autokolonë me eshtrat e 14 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë parakaloi të martën në Sarajevë, në prag të shënimit të përvjetorit të 29-të të masakrës.
Rrugës për në Qendrën Përkujtimore Potoçari, ku edhe do të varrosen më 11 korrik, autokolona u ndal për pak kohë para ndërtesës së Presidencës së Bosnje e Hercegovinës në qendër të qytetit.
Eshtrat e viktimave që do të varrosen, u identifikuan gjatë vitit të kaluar.
Viktima më e re është Beriz (Omer) Mujiq, i cili në kohën kur ndodhi gjenocidi më 1995, ishte 17 vjeç, ndërsa viktima më e vjetër është Hamed Salliq, atëkohë 68 vjeç.
Në Srebrenicë dhe zonat përreth, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8.300 boshnjakë në korrik të vitit 1995.
Në atë kohë, Srebrenica ishte zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.
Me një vendim në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid.
Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Deri më tani, mbi 6.650 viktima të gjenocidit janë varrosur në Qendrën Përkujtimore Potoçari.
Më shumë se 1.000 persona të zhdukur janë ende në kërkim.
Gjykata të ndryshme kanë dënuar deri tash më shumë se 50 persona, me më shumë se 700 vjet burg, për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë. REL