VOAL

VOAL

Vuçiq: Kam qenë për rishkrimin e kufijve, por jo më

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se rishkrimin e kufijve me Kosovën dikur e ka parë si zgjedhje, por shtoi se këtë nuk e mendon më, pasi “rrethanat tani kanë ndryshuar”.

Vuçiq i bëri komentet në një seancë të Kuvendit të Serbisë, ku për të dytën ditë me radhë u diskutua për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve se cila është zgjidhja e tij për Kosovën, Vuçiq, tha se situata politike ka ndryshuar “jo vetëm me vullnetin tonë, por edhe me vullnetin e fuqive të mëdha”.

“Pozicioni nuk mund të jetë i njëjtë para dhe pas vitit 1999, as pas vitit 2008, as pas vitit 2010”, tha Vuçiq duke shtuar se “disa veprime e kanë vështirësuar pozitën e tij”.

“Nuk po fsheh asgjë, kam menduar se demarkacioni i kufirit është zgjidhje. E kam kuptuar se kjo është e pamundur, sepse të gjithë më jeni hedhur në kokë”, tha Vuçiq, pa ofruar më shumë detaje.

Ideja e ndryshimit të kufijve, si zgjidhje e mundshme për mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, është shpalosur në 2018 nga vetë presidentët e atëhershëm të këtyre dy vendeve, Vuçiq dhe Hashim Thaçi.

Megjithatë, kjo ide ka hasur në reagime për dhe kundër, si në Kosovë e Serbi, ashtu edhe në qarqet ndërkombëtare.

Kritikët kanë thënë se ajo do të mund të shkaktonte efekt domino edhe midis vendeve të tjera që kanë çështje të hapura.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Përkundër dhjetëra marrëveshjeve të arritura, zbatimi i shumë prej tyre ka ngecur.

Procesi i negociatave pritet të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Kosova këmbëngul që kjo marrëveshje të përfshijë njohje të ndërsjellë, por Serbia tash për tash refuzon, duke insistuar në një “zgjidhje kompromisi”.

Në seancën e së martës të Kuvendit të Serbisë, Vuçiq tha se “Serbia nuk do ta njohë, as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, nëntë vjet pas përfundimit të luftës së iniciuar nga regjimi i atëhershëm serb.

Kamberi përplaset me Vuçiqin për Kosovën

RFE/RL

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se Kosova është shtet i pavarur, teksa në organin ligjvënës presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, prezantoi raportin për dialogun politik me Kosovën.

“Çfarëdo që dëshironit arrini atje, duhet ta arrini në marrëveshje me autoritetet lokale dhe kushdo që është në pushtet atje, Serbia nuk ka ndikim”, tha Kamberi.

Ai iu kundërpërgjigj deklaratave të Vuçiqit, i cili tha se për aq kohë sa ai të ketë ndikim “Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”.

Kamberi tha se serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës kanë të drejta të shumta, të garantuara me Kushtetutë, dhe kanë përfaqësim në Kuvend dhe Qeveri, ndërkaq këto të drejta nuk i ka minoriteti shqiptar dhe minoritetet e tjera që jetojnë në Serbi.

Deputeti Kamberi tha se një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë është një ndër sfidat më të vështira dhe se është obligim i Vuçiqit që ta udhëheqë Serbinë drejt zgjidhjeve që krijojnë perspektivë evropiane.

Ai tha se përmirësimi i raporteve me “armikun e përjetshëm” kërkon aftësi për të kuptuar se “nuk ka pajtim pa u përballur me të kaluarën”.

Sipas Kamberit, Vuçiq e ka përgjegjësinë më të madhe që t’u tregojë qytetarëve serbë për Kosovën “të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, e jo dëshirat boshe dhe ambiciet politike”. Ai po ashtu tha se në Serbi ende nuk atmosferë që dikush t’u kërkojë falje shqiptarëve.

Duke iu përgjigjur deklaratave të Kamberit, Vuçiq tha se Kosova nuk është shtet i pavarur dhe se serbët në veri të Kosovës nuk kanë status të njëjtë me shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë.

“Ju po e paraqisni situatën sikur Kosova është shtet i pavarur, se nuk ka asgjë të diskutueshme, por se bëhet fjalë vetëm për një marrëveshje dypalëshe që vendos barazi dhe identitet të të drejtave të serbëve dhe shqiptarëve në dy shtete të pavarura. Por, çështja nuk është kështu”, tha Vuçiq.

Vuçiq i tha Kamberit se “nuk kam asgjë kundër” dënimit të krimeve që kanë ndodhur kundër shqiptarëve, por shtoi se pala tjetër “hesht dhe nuk po flet” për krimet, siç tha presidenti serb, të kryera nga ata.

Vuçiq po ashtu e pranoi se Kamberi ka të drejtë kur thotë se autoritetet nuk po investojnë mjaftueshëm në dy komunat në jug të Serbisë, që banohen nga shqiptarët – Preshevë dhe Bujanoc, por edhe në Medvegjë. Por, presidenti i Serbisë paralajmëroi se do të ketë më shumë investime në këto tri komuna, që njihen ndryshe edhe si Lugina e Preshevës.

Ndryshe, në Kuvendin e Serbisë u prezantua raporti i Qeverisë për dialogun e zhvilluar me Kosovën që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kosova dhe Serbia e zhvillojnë këtë proces që nga viti 2011, i cili ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve. Por, dy palët kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të procesit. Kosova kërkon që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia synon një zgjidhje kompromisi.

Vuçiq: Serbia s’do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalimit në Kuvend, Beograd, 13 shtator 2022.

RFE/RL

“Derisa unë të kem ndikim, Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Unë nuk do të heq dorë nga lufta ime legjitime për interesat shtetërore dhe kombëtare, si dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, tha ai.

Vuçiq i bëri komentet në seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Serbisë, ku në rend dite është procesi i negociatave midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Pikë e vetme e rendit të ditës në këtë seancë është raporti i Qeverisë serbe për negociatat e mbajtura me Kosovën përgjatë një viti, përkatësisht nga 15 qershori i vitit 2021 deri më 1 shtator të vitit 2022.

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur.

Procesi duhet të rezultojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Kosova këmbëngul që kjo marrëveshje të përfshijë njohjen e ndërsjellë; Serbia, tash për tash, nuk pranon.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Vuçiq tha se “histeria e bashkësisë ndërkombëtare për shkak të konfliktit në Evropë, reflekton edhe në Serbi”.

Kjo e vë Serbinë “në një situatë edhe më të vështirë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, tha Vuçiq.

Kosova është shtet i pavarur qysh në vitin 2008.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Duke folur para Kuvendit të Serbisë, Vuçiq tha se “politika reale nuk mund të mbështetet në mite dhe fantazi”.

Sipas tij, duhet bërë dallimi mes “realitetit dhe mundësisë” për të luftuar si shtet dhe si komb “për atë që themi se është më e rëndësishme për ne”.

Ai tha se detyrë është që në hapësirat ku ka serbë dhe shqiptarë, të sigurohet një jetesë më e mirë për ta.

“Kjo detyrë e vështirë duhet të kryhet, në mënyrë që serbët të mbijetojnë si shtet dhe si popull”, tha ai.

“Hapësira në të cilën ne punojmë, është e tillë që mundësitë për përparim dhe përmirësim janë të pakta, ndërsa shanset për të shkuar në humnerë janë mjaft të lehta dhe, nëse përdorim politikën e gabuar, pothuajse të sigurta”, tha presidenti i Serbisë.

Duke folur për situatën aktuale në Kosovë, Vuçiq tha se “jemi ballafaquar me sfida të mëdha të sigurisë”, dhe se është vënë re “prani në rritje e forcave të sigurisë të Prishtinës në veri të Kosovës”.

Në pjesën veriore të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe, funksionojnë edhe organe paralele të Serbisë.

Seanca e Kuvendit të Serbisë po ndiqet edhe nga anëtarë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Seancën për Kosovën e kërkuan grupet e caktuara opozitare në Kuvendin e Serbisë – Dveri, Partia Popullore, koalicioni Shpresa (Nada).

Më 6 shtator, Partia Popullore paraqiti në Kuvend propozimin e saj për rezolutën për Kosovën dhe tri ditë më vonë të njëjtën gjë e bëri edhe lëvizja e djathtë, Dveri.

Në dokumentin e Partisë Popullore, lider i së cilës është ish-shefi i diplomacisë, Vuk Jeremiq, thuhet se Serbia nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Gjithashtu, propozohet që në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë të paraqitet një propozim për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut të Brukselit.

Parakusht për vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën, sipas Partisë Popullore, është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit.

Rezoluta e propozuar nga Dveri thotë se askush që mban poste publike, nuk ka të drejtë të nënshkruajë një dokument obligues për pavarësinë e Kosovës.

Gjithashtu, kërkohet që Qeveria e Serbisë të marrë përsipër ndërprerjen e komunikimit dhe negociatave me Prishtinën, si dhe anulimin e marrëveshjeve të arritura. Propozohet kalimi i negociatave nga Brukseli në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Dveri sugjeron që Qeveria e Serbisë të kërkojë ndihmën dhe mbështetjen e Rusisë dhe Kinës – dy vende aleate të Serbisë, që nuk e njohin Kosovën.

*Ky lajm është duke u përditësuar

Samiti Bërdo-Brioni: Thirrje BE-së që Kosovës t’i hiqen vizat

Liderë të vendeve të rajonit në samitin e Procesit Bërdo-Brioni.

 

RFE/RL

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat deri në fund të vitit 2022.

Pahor i bëri komentet në fund të samitit të Procesit Bërdo-Brioni, që u mbajt të hënën në Bërdo të Sllovenisë.

Kjo thirrje, tha ai, është edhe pjesë e konkluzioneve që u miratuan pas samitit.

Përveç Pahorit, nikoqir i ngjarjes, aty morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviq, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiq.

Pahor tha se me udhëheqësit e vendeve të rajonit është rënë dakord që bisedimet të jenë mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

“Samiti u mbyll me sukses për dy arsye: diskutimet kanë qenë mjaft të mira dhe kemi këmbëngulur që të jemi më të bashkuar. Ka disa gjëra që na ndajnë, por duhet të kuptojmë se ku janë këto dallime”, deklaroi Pahor, duke mos dhënë shumë detaje, por duke thënë se besimi midis vendeve nuk është në nivelin më të lartë të mundshëm.

Osmani: Askush në BE nuk është kundër liberalizimit të vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se thirrja për liberalizimin e vizave për Kosovën, është miratuar njëzëri në Procesin e Bërdo-Brionit.

Ajo tha se gjatë këtij viti, pret që BE-ja të marrë vendim për këtë çështje, teksa shtoi se ka përkrahje në mesin e bllokut.

“Aktualisht, nuk ka vend në BE që na thotë se janë kundër liberalizimit të vizave dhe besoj që e kemi momentumin më të mirë në këto katër vjetët e fundit. Pra, momentumi është i shkëlqyeshëm, kemi mbështetjen e vendit që është nikoqir i këtij takimi [të Këshillit të BE-së që mbahet në Republikën Çeke] dhe takimet ministrore. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim të grupit punues për viza për ta shtyrë çështjen përpara. Dhe pastaj në samitin e ri BE-Ballkan Perëndimor, që pritet të mbahet më vonë, pas tetorit. Ajo që është me rëndësi është që ky vendim të merret gjatë Presidencës çeke, pra gjatë këtij viti”, tha Osmani.

Ndërkaq, në konkluzionet e miratuara theksohet edhe rëndësia e zgjerimit të BE-së me vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor.

Ky proces konsiderohet si “kontributi më i drejtpërdrejtë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon”.

“I bëjmë thirrje BE-së që të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor, me qëllim zbutjen e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike. Ne konfirmojmë angazhimin tonë për dialog – si mënyra e vetme për kapërcimin e dallimeve”, thuhet, po ashtu, në konkluzione.

Vuçiq: BE-ja nuk është popullore në Serbi

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Bashkimi Evropian nuk është popullor në mesin e qytetarëve të Serbisë, por tha se shpreson se kjo do të ndryshojë në të ardhmen.

“Unë vij prej një vendi i cili ndodhet në rrugën evropiane, nuk do që të heqë dorë prej saj, por në të cilin BE-ja është më së paku popullore. Nëse sot do të kishit një referendum në Serbi, në pyetjen: A doni të hyni në BE ose jo, qytetarët e Serbisë do të thoshin jo”, tha Vuçiq pas samitit të Procesit Bërdo Brioni.

Ai po ashtu tha se shpreson se kjo do të ndryshojë “në muajt apo vitet e ardhshme”.

Ai shtoi se një nga arsyet kryesore për këtë është çështja e integritetit territorial të Serbisë. Serbia konsideron se me pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, është shkelur integriteti i saj territorial. Por, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar më 2010 se pavarësia e Kosovës nuk bien ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Në anën tjetër, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha se në takimin e Procesit të Bërdo Brionit nuk është biseduar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka synim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve.

“Unë e mbështes njohjen e Kosovës. Të gjitha vendet që nuk e kanë bërë këtë, duhet ta bëjnë, por në këtë [samit] nuk ishte rasti për të”, tha Millanoviq.

Ai, po ashtu, tha se do të bëjë gjithçka të mundur që Procesi Bërdo-Brioni të vazhdojë, pasi Pahor përfundon mandatin e dytë presidencial këtë vit.

Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.

Qëllim i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.

Ku qëndrojnë vendet e Ballkanit në rrugën drejt BE-së?

Në një samit të mbajtur në vitin 2003 në Selanik të Greqisë, shtetet anëtare të BE-së kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, ku kanë shprehur mbështetjen e tyre për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“E ardhmja e Ballkanit është brenda BE-së”, kanë thënë ato.

Që atëherë, vetëm Kroacia, nga vendet e rajonit, është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.

Negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik edhe Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

Kosova, po ashtu, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.

Edhe pse Komisioni Evropian ka konfirmuar se ajo i ka plotësuar kushtet, disa vende, si Franca dhe Holanda, shprehin rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Kryeministri grek: Për detin kemi marrëveshje me Ramën- në Hagë pasi të kemi zgjeruar kufirin me 12 milje

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një konference me gazetarët mbajtur ditën e djeshme, ka deklaruar se ka një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama për të shkuar në Hagë lidhur me çështjen e detit, por vetëm pasi sipas tij, të kenë zgjeruar kufirin me 12 milje.

Ai thotë se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është në fakt në favor të Greqisë, teksa thotë fakti që është dakordësuar që çështja e kufirit të shkojë në gjykatën e Hagës, tregon se edhe këto çështje të mbartura mund të zgjidhen.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për kompleksitetin e kësaj marrëdhënieje, por më duket se edhe si nevojë gjeostrategjike dhe gjeopolitike, të mundemi të zgjidhim problemet e pazgjidhura që kemi nga e kaluara. Dhe dua të referohem konkretisht se edhe për përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike, ka një marrëveshje paraprake që të shkojmë në Hagë, por vetëm pasi ne të kemi zgjeruar kufirin tonë detar me 12 milje. Është diçka e mirë kjo sepse tregon që çështje të tilla, mund të zgjidhen nga një organ ndërkombëtar perëndimor i drejtësisë, një zhvillim i rëndësishëm, në se do të mund ta arrijmë”, tha Mitsotakis.

Ndërkohë i pyetur nëse do t’i japë dritën jeshilë Shqipërisë për në BE, pavarësisht raportit të mirë që Edi Rama ka me presidentin e Turqisë, Mitsotakis tha: Personalisht kam një lidhje shumë të mirë me kryeministrin shqiptar, dua të jem i sinqertë, dhe është në favorin tonë të diskutojmë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe, paralelisht duke njohur faktin se ekziston një minoritet kombëtar grek, i cili duhet të mbrohet. Dhe kjo është një diçka që e kam bërë të qartë tek kryeministri shqiptar dhe kjo do të përcaktojë edhe qëndrimin tonë gjatë periudhës së negociatave integruese.bw

Vuçiq: Këshilltarët e Scholz dhe Macron na prezantuan një kornizë komplet të re për dialogun me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, në një konferencë për media pas takimit më këshillin e sigurisë ka bërë të ditur për atë se çfarë kanë diskutuar brenda. Kreu i shtetit serb ka thënë se të premten mbrëma ka pasur një bisedë me këshilltarët e Macron dhe Scholz dhe se një bisedë e tillë s’ka qenë e lehtë.

Vuçiq gjithashtu ka treguar se ka marrë nga dy këshilltarët një propozim për një kornizë krejtësisht të re për bisedimet në Bruksel, e cila siç ka thënë Vucic duhet të çojë tek zgjidhja përfundimtare me Republikën e Kosovës, raporton N1, trasnmeton Express.

Vucic ka treguar se mesazhi i ndërkombëtarëve ka qenë që në situata kur ka një luftë që po zhvillohet në Evropë, nuk ka nevojë për një tjetër konflikt të ri, derisa i kanë treguar se ka nevojë për një zgjidhje sa më shpejtë.

“Biseda nuk ishte aspak e lehtë dhe në thelb mund të them disa gjera. Përfaqësuesit e shteteve më të fuqishme evropiane, të cilët theksuan se kanë mbështetjen e SHBA-së dhe Turqisë për këtë, besojnë se në kushtet kur ka një luftë në Evropë, nuk ka nevojë për konflikte të reja dhe se është e nevojshme të arrihet zgjidhja më e shpejtë e mundshme”, ka thënë Vucic.

Sllovenia thërret në bisedë ambasadorin serb pas deklaratave të Vuçiqit për Kosovën

Presidenti slloven Borut Pahor
RFE/RL

Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë ka ftuar në bisedë ambasadorin serb, për shkak të deklaratave të bëra nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq, gjatë vizitës së fundit të presidentit slloven, Borut Pahor në Beograd, tha se Sllovenia, sikurse edhe shtetet e tjera që e njohin Kosovën, ka shkelur integritetin territorial të Serbisë.

MPJ e Sllovenisë ftoi në bisedë ambasadorin serb në Lubjanë, Zoran Vlatkoviq, për të biseduar për këto deklarata që Vuçiqi i bërë gjatë një konference për media lidhur me vizitën e Pahorit në Serbi.

Ambasadori slloven në Serbi, Damjan Bergant, po ashtu është ftuar në bisedë për temën e njëjtë, tha Ministria sllovene për N1.

Presidenti serb, pas takimit me Pahorin në Beograd, ishte pyetur nga gazetarët pse Serbia nuk po i vendos sanksione Rusisë dhe ai ishte përgjigjur duke pyetur: “si t’ua shpjegoj qytetarëve se Serbia po i vendos sanksione Rusisë e jo Sllovenisë?”.

“Rusia nuk e ka shkelur integritetin territorial të Serbisë. Sllovenia e ka shkelur. Dhe siç e shihni, ne kemi raporte të mira me Slloveninë”, tha Vuçiq dhe shtoi se Sllovenia, sikurse për shembull Franca, Gjermania dhe SHBA-ja që njohin pavarësinë e Kosovës, që sipas qëndrimit të Serbisë, po shkel ligjin ndërkombëtar, Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Ministria e Jashtme sllovene tha se ishte shumë e befasuar nga deklaratat e Vuçiqit.

“Edhe një herë, ne përsërisim qëndrimin tonë lidhur me Kosovën, që Sllovenia e njeh si shtet të pavarur dhe sovran. Në këtë drejtim, ne shprehim pritjet tona që Serbia në të ardhmen të mos e problematizojë qëndrimin tonë karshi Kosovës sepse mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Ne po ashtu shprehim kundërshtinë që njohja e Kosovës nga Sllovenia të krahasohet me agresionin rus kundër Ukrainës”, u tha në deklaratën e Lubjanës.

Ministria e Jashtme sllovene gjithashtu tha se pret që bashkëpunimi aktual me Serbinë të vazhdojë dhe se Lubjana do të vazhdojë të avokojë për komunikim me Beogradin, në të gjitha nivelet.

“Ne duam që shtetet të vazhdojnë të zhvillojnë raporte miqësore dhe së bashku të shikojnë për mundësi që të zgjidhen çështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor, që do të ulnin tensionet në rajon. Kjo do t’u mundësonte Kosovës dhe Serbisë që të bënin përparim në rrugën drejt BE-së”, u tha në njoftim.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008 dhe që atëherë është njohur nga 117 shtete të botës.

Besnik Bislimi dhe Arbërie Nagavci pritet ta vizitojnë Luginën e Preshevës

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës, Ragmi Mustafi ka folur në lidhje me vizitën e Besnik Bislimit dhe Arbërie Nagavcit në Luginën e Preshevës.

Ai tha se deri tani janë ndjekur të gjitha procedurat sa i përketë realizimit të vizitave dhe se pritet vendimi i Serbisë.

“Deri tani janë ndjekur të gjitha procedurat sa i përketë realizimit të vizitave, megjithatë mbetet mbi autoritetet e Republikës së Serbisë deri në momentin e fundit që të japin verdiktin final. Edhe në të kaluarën ka ndodhur që vizita të caktuara janë planifikuar dhe më pas ka qenë e pamundur të realizohen për shkak të vendimeve që kanë ardhur nga Beogradi dhe ka pasur edhe vizita që nuk janë planifikuar, por janë realizuar”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai u shpreh se Bislimi e Nagavci do të vizitojnë shumë struktura në Luginën e Preshevës.

“Unë besoj se tashmë ka një klimë sa i përketë vizitës dhe po besoj që kjo vizitë do të realizohet, ashtu siç është planifikuar në mënyrën më të mirë të mundshme, unë besoj që atë në Luginën e Preshevës do të jenë prezentë zëvëndësministri dhe ministrja e arsimit”, ka shtuar Mustafi për klan kosova.

Të hënën në Kosovë do të qëndrojë kryeministrja e Serbisë, Ana Bernabiq./Express/

Abazoviq e quan legjendë dhe gjigand sportistin që vazhdimisht thotë “Kosova është Serbi”

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka publikuar në llogarinë e tij një fotografi së bashku me tenistin e njohur serb, Novak Gjokoviq.

Gjokoviq është i njohur për thekset nacionaliste, që nuk heziton t’i shfaqë edhe në sportin profesionist. Ai shpeshherë ka thënë se “Kosova është Serbi”, përkundër realitetit dydekadësh çlirimi e pavarësie të Kosovës.

“Një takim me legjendën botërore të sportit Novak Gjokoviq, sot në panairin e verë”, ka shkruar Abazoviq.

Ndryshe, sot në Beograd ka nisur panairi i verës “Wine Vision by Open Balkan”, që do të mbahet deri më 4 shtator.

Panairi mbledh më të mirët në prodhimin e verërave më të mira, vreshtarëve, mjeshtrave të qilarëve, enologëve, somelierëve dhe tregtarëve të verërave, si dhe ekspozues të verës nga disa prej kantinave më të famshme në botë dhe synon të promovojë Ballkanin si destinacion turistik.

Pjesë e panairit ishte edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama. /GazetaExpress

Pse Edi Rama nuk e piu gotën e verës që i ofruan në Beograd?

Pasi ofendoi gjuhën shqipe, duke e cilësuar si gjuhë të çuditshme, Edi Rama është përfshirë në një tjetër incident në Beograd.

Në pamjet e shpërndara në rrjetin social Instagram nga kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, Edi Rama është filmuar duke trokitur gotat me Aleksandër Vuçiç, dhe të pranishmit e tjerë, por nuk e ka pirë verën.

Fillimisht Rama nuk as gotën e verës, por që ja ofron më pas dikush nga të pranishmit.

Pasi e trokit Rama e afron gotën deri tek goja, duke se i merr erë dhe më pas e largon, duke e vendosur në tavolinën ku edhe u mbush gota e verës.

Ngrihet pyetja se pse Rama nuk e piu gotën e verës?

Nuk i pëlqeu apo kishte frikë se mund ti ndodhte ndonjë gjë tjetër.

Sa për kronikë lajmi, Rama ishte i pranishëm në një panair vere në Beograd, në kuadër të atij që ai dhe Vuçiç e cilësojnë si ‘Ballkani i hapur’.syri.net

Serbia me stërvitje ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën

Stërvitjet ushtarake të Serbisë, në afërsi të kufirit me Kosovën. 1 shtator 2022.

RFE/RL

Ministria e Mbrojtjes së Serbisë njoftoi se forcat e armatosura serbe po zhvillojnë një stërvitje ushtarake në Zonën e Sigurisë Tokësore, që gjendet përgjatë kufirit me Kosovën.

“Stërvitja po kryhet me qëllim të mbajtjes së një shkalle të lartë të gatishmërisë luftarake të njësive të angazhuara dhe aftësisë së tyre për të reaguar shpejt në rast nevoje, si dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë përgjatë vijës administrative në Kosovë dhe Metohi”, tha Ministria serbe e Mbrojtjes më 31 gusht.

Siç thuhet në njoftim, vëmendje e posaçme do t’i kushtohet “stërvitjeve të veprimeve luftarake në rast të ndonjë sulmi ndaj njësisë, si dhe taktikave, teknikave dhe procedurave që përdoren për të parandaluar kalime të paligjshme, aktivitete të grupeve ekstremiste dhe krimin e organizuar”.

Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë tha se forcat e armatosura serbe, të dislokuara në Zonën e Sigurisë Tokësore, kryejnë stërvitje gjatë gjithë vitit si para dislokimit, por edhe për zbatimin e detyrave që kanë në Zonën e Sigurisë Tokësore.

Kjo, sipas autoriteteve të mbrojtjes serbe, “siguron një nivel të lartë të aftësisë për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave, rreziqeve dhe kërcënimeve që bien në fushën e përgjegjësisë së tyre”.

Këto stërvitje vijnë në kohën kur nga 1 shtatori, Serbia për herë të parë pas 11 vjetësh nuk do të lëshojë dokumente hyrje/daljeje për qytetarët e Kosovës, por do të lejojë që të përdorin letërnjoftimet e tyre.

Njësoj do të veprojë edhe Kosova për shtetasit e Serbisë.

Për këtë marrëveshje, palët u morën vesh më 27 gusht, pas ndërmjetësimit të diplomatëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Heqja e dokumenteve për hyrje/dalje pasoi përshkallëzimin e tensioneve midis dy shteteve, pasi serbët lokalë në veri ngritën barrikada për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për këto dokumente, por edhe për riregjistrimin e makinave.

Më 1 shtator, po ashtu nis afati dymujor për riregjistrimin e makinave që qarkullojnë në veri të Kosovës, e që lëshohen nga Serbia.

Vuçiq: Nuk ka shanse që çështja e targave të zgjidhet para 1 shtatorit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke mbajtur në duar një letër me targa KS. Këto targa, Serbia ka propozuar që të përdoren nga serbët në Kosovë. Por Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk mund të pranojë targa që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës.

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk sheh mundësi që çështja e targave me Kosovën të zgjidhet para 1 shtatorit dhe shtoi se ai beson se Kosova me shumë gjasa do të nisë fushatën për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

“Nuk mendoj se do të ketë shumë sukses në këtë çështje. Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në Bruksel se do të jetë i suksesshëm dhe se serbët do të jenë të interesuar që t’i ndryshojnë targat. Le të shohim, është një proces që do të zgjasë. Nuk ka asnjë shans që kjo çështje të zgjidhet para 1 shtatorit”, deklaroi Vuçiq të martën, më 30 gusht.

Pas ndërmjetësimit të përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, më 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për çështjen e dokumenteve të identitetit. Megjithatë, vendimi i Prishtinës për riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia, pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Sikurse vendimi i dokumenteve për hyrje-dalje dhe ai për targat u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët ngritën barrikada në veri të Kosovës.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës. Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim.

Vuçiq tha se mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim pas samitit të vendeve të Ballkanit dhe vizitës së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe disa përfaqësuesve të tjerë evropianë, por shtoi se atij i duket se aktualisht nuk ka mundësi për përparim.

“Nuk ka dëshirë në Prishtinë për të diskutuar për zgjidhje racionale dhe zgjidhje kompromisi. Ndoshta jam vetëm unë, ndoshta evropianët e dinë më mirë”, tha ai.

Vuçiq shtoi se Serbia është “gjithmonë në anën e së drejtës ndërkombëtare në të gjitha rastet dhe mosmarrëveshjet ndërkombëtare”. Ai tha se e vetmja politikë zyrtare e Beogradit është respektimi i Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha rezolutat ndërkombëtare.

Ndërkaq, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, deklaroi më 29 gusht se çështja e targave është më e vështira për t’u zgjidhur. Megjithatë, ai shtoi se mbetet “optimist” sa i përket mundësisë së zgjidhjes së këtij problemi.

Serbia publikon “disclaimer”: Dokumentet e Kosovës i pranojmë për arsye praktike, nuk e njohim Pavarësinë!

Në Serbi është bërë publike një letër që do të vendoset në pjesën serbe të kufirit, ku tregohet se si dokumentet e Republikës së Kosovës do të pranohen për lëvizje të lirë, por se nuk nënkuptojnë pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina (Kosova) bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet lëvizja e tyre e lirë. Në përputhje me Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë të arritur në vitin 2011, nuk mund të pranohet si njohje e pavarësisë së njëanshme të Kosovës, dhe është pa paragjykuar statusin final të Kosovës, as nuk mund të interpretohet se Serbia heq dorë nga të drejtat e veta sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shkruhet në dokument.

Arritjen e marrëveshjes e njoftoi të shtunën pasdite, shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borell dhe ajo u përshëndet nga faktori ndërkombëtar.

Për herë të parë, Serbia do t’i pranojë letërnjoftimet e Republikës së Kosovës, pa dokumentin shtesë që ua jepte shtetasve të Kosovës që hyjnë atje.

Pilotit i bie të fikët gjatë fluturimit, avioni bën ulje emergjente në Selanik

Një aeroplan i kompanisë Jet2 që po kryente fluturimin Birmingham-Antalia pak ditë më parë, është detyruat të bejë një ulje edmergjente në Selanik për shkak se pilotit i kishte rënë trë fikët.

Ndërsa avioni ishte në lartësinë 30,000 këmbë, stjuardesat informuan pasagjerët se pilotit i kishte rënë të fikët. Incidenti ndodhi më 23 gusht teksa avioni ishte ngritur nga aeroporti i Birminghamit, por nuk u bë e ditur menjëherë.

“Ndërsa ishim ulur të gjithë, vumë re se diçka po ndodhte në pjesën e përparme të avionit. Menduam se dikush ishte plagosur në tualet ndërkohë që kishte kaos. Na u tha se do të zbarkojmë në Greqi për shkak të një urgjence mjekësore”, tha një pasagjer.

Një zëdhënës i Jet2 tha për incidentin: “Fluturimi LS1239 nga Birmingham për në Antalia u devijua drejt aeroportit të Selanikut si masë paraprake të martën më 23 gusht për shkak të gjendjes së keqe të një prej pilotëve.dita

Vuçiq vendos kushte për dokumentet e Kosovës

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se më 1 shtator do të nisë së zbatuari vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat serbe. Ndërkaq, lidhur me vendimin për dokumentet serbe, ai kërkoi që nga ky vendim të përjashtohen serbët që jetojnë në Kosovë. Ai po ashtu tha se Beogradi mund të pranojë dokumentet e Kosovës, por për këtë ka kushte.

Gjatë një konference për media në Beograd më 27 gusht, Vuçiq tha se me Kosovën nuk u arrit zgjidhje kompromisi për këto dy tema.

“Është e qartë se nuk ka marrëveshje për targat, që do të thotë se do të fillojë së zbatuari më 1 shtator. Megjithatë, është një afat prej dy muajsh, kështu që do të shohim”, tha ai.

Sipas presidentit serb, bisedimet me palën kosovare ishin “interesante”, por “të pasuksesshme”.

Ai tha se Serbia nuk pajtohet me njohjen e ndërsjellë mes vendeve. Kjo është kërkesë e Prishtinës që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të përfundojë me njohje reciproke, por Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

“Harrojeni këtë dhe mos ejani në Beograd me histori të tilla sepse janë të pakuptimta”, tha Vuçiq.

“Për çështje të tjera jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhje kompromisi”, shtoi ai.

Për dokumentet serbe, në pritje të “përgjigjes së zyrtarëve evropianë”

Sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje, Vuçiq tha se ato mund të lëshohen, por shtoi se për Serbinë është e rëndësishme që serbët nga Kosova që kanë dokumente serbe të mund të lëvizin dhe hyjnë e të dalin nga Kosova.

Ai tha se Serbia do të pranojë dokumentet e Kosovës, por me një kusht, që për to të ketë një shënim:

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga ana e Prishtinës [Kosovës] bëhet ekskluzivisht për arsye praktike të lehtësimit të pozitës së qytetarëve dhe mundësimit të lirisë së lëvizjes në përputhje me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që është arritur në dialog më 2011 dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244” e Kombeve të Bashkuara, tha Vuçiq.

“Ky është një përjashtim që ne do ta aplikojmë gjithkund”, tha Vuçiq, duke thënë se po insistohet që serbët në veri të Kosovës të mund të hyjnë në Kosovë me dokumente të Serbisë, por shtoi se për këtë gjë po pret përgjigje nga zyrtarët evropianë.

“Nëse na e konfirmojnë këtë, ne do të kemi një problem më pak. Çështja e targave është shumë më e komplikuar”, tha Vuçiq.

Përpjekjet ndërkombëtare për evitimin e tensioneve

Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, nxitën pakënaqësi te serbët në veri të Kosovës. Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës në shenjë pakënaqësie ndaj vendimeve të ekzekutivit kosovar.

Pasi u hoqën barrikadat në pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Që atëherë, bashkësia ndërkombëtare, ka tentuar që të bindë palët që të gjejnë një zgjidhje për këto dy vendimeve, me qëllim që të mos përsëritet përshkallëzimi i situatës.

Por, takimet e Vuçiqit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, rezultuan pa marrëveshje.

Në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë kësaj jave qëndruan në Prishtinë dhe Beograd ku u takuan me liderët politikë. Zyrtarët perëndimorë diskutuan me liderët e dy shteteve për parandalimin e përshkallëzimit të mundshëm të situatës.

Në një konferencë për media në Beograd, më 26 gusht, Escobar tha se SHBA-ja po kërkon nga të dyja palët që të zotohen se nuk do të ketë dhunë.

Dy vendimet e Kosovës

Sipas vendimeve të Qeverisë së Kosovës, nga 1 shtatori të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje. Ky dokument lëshohet nga Serbia për shtetasit e Kosovës, qëkur palët arritën Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes 11 vjet më parë.

Ndërkaq, vendimi për targat serbe konsiston në riregjistirmin e tyre në RKS (Republika e Kosovës). Vlerësohet se 10.000 targa që lëshohen nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës, qarkullojnë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Targat sikurse KM, PR, PZ, UR e të ngjashme konsiderohen të jashtëligjshme nga Kosova dhe Prishtina kërkon që pronarët e makinave me targa të tilla t’i konvertojnë ato në RKS brenda një periudhe prej 61 ditësh.

Serbia ka kërkuar që këto targa të zëvendësohen me targat e mëhershme KS, që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por kjo është kundërshtuar nga kryeministri Kurti.

Ndërkaq, sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje, Kosova ka thënë se është e gatshme të heqë dorë nga lëshimi i tyre, nëse edhe Serbia bën të njëjtën gjë.

Serbia refuzon të votojë rezolutën e OKB-së për dënimin e agresionit rus

Serbia refuzon të votojë në 24 gusht rezolutën e OKB-së për dënimin e agresionit rus me rastin e 6 mujorit të fillimit të agresionit. Të gjitha vendet kandidate të BE votuan për rezolutën.

Lajmi është bërë me dije në një deklaratë për mediat mbi Gjashtë Mujorin e Konfliktit Rusi/Ukrainë nga ambasadori Sergiy Kyslytsa, Përfaqësues i Përhershëm i Ukrainës në Kombet e Bashkuara dhe shtete të tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara./dita

 

Vuçiq: KFOR-i nuk mund të mos i lejojë barrikadat në veri të Kosovës

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në dy-tri ditët e ardhshme ai do t’i dërgojë një letër misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, lidhur me njoftimin nga ky mision që tha se nuk do të lejojë ngritje të barrikadave në veri të Kosovës.

“Qëllimi juaj duhet të jetë mbrojtja e popullatës serbe, ata janë minoritet. Pse po i ndihmoni shqiptarët që të shtypin këtë minoritet. Pse, së bashku me shqiptarët po keqtrajtoni serbët, a është detyra juaj apo jo që të ndihmoni serbët”, tha Vuçiq më 24 gusht në Beograd gjatë një takimi të partisë së tij në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajári, tha për televizionin publik të Kosovës më 23 gusht se situata në veri të Kosovës është e qetë dhe se forcat ndërkombëtare më nuk do të lejojnë vendosjen e barrikadave.

Më herët, nga ky mision ka paralajmëruar se është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë.

Vuçiq sqaroi se ai do t’ia dërgojë letrën KFOR-it pas të zhvillojë bisedime me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Ata do të takohen në Beograd me zyrtarët serbë më 25 gusht.

Presidenti serb shtoi se ai e interpreton ndryshe rolin e KFOR-it dhe NATO-s. Sipas tij, kriza nuk mund të të zgjidhet në këtë mënyrë, por vetëm përmes bisedimeve politike.

Vuçiq po ashtu falënderoi ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, për deklaratat e bëra një ditë më parë, kur diplomati amerikan tha se në rundin e fundit të dialogut në Bruksel, Serbia kishte shkuar e përgatitur, ndërkaq palët e tjera jo.

Sipas kreut të Serbisë, këto deklarata nuk nënkuptojnë se do të ketë ndryshme të mëdha të politikës amerikane ndaj Kosovës, teksa Uashingtoni ishte ndër të parët që njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.

“Amerikanët janë fuqi e madhe, superfuqi, dhe ata nuk ndryshojnë politikat e tyre për shkak të Serbisë së vogël. Vuçiq nuk mund t’ua ndryshojë politikën, por mundem të tregoj respekt ndaj tyre, por edhe përmes respektit ndaj shtetit tonë, që mund të jemi ‘kompromis’ që të paktën të mos krijojmë probleme ditore, por të jemi të arsyeshëm”, tha Vuçiq.

Escobar dhe Lajçak gjatë 24 gushtit kanë zhvilluar takime në Prishtinë me krerët institucionalë dhe liderët e partive opozitare. Ata thanë se qëllimi i vizitës së tyre është që të evitohet përsëritja e përshkallëzimit të situatës më 1 shtator. Po ashtu, zyrtarët perëndimorë thanë se presin që Kosova dhe Serbia të paraqesin propozime konkrete për zgjidhjen e çështjeve të targave dhe dokumenteve serbe.

Vendimet e Qeverisë së Kosovës për këto dy çështje nxitën serbët që më 31 korrik dhe 1 gusht të bllokonin rrugët në veri të Kosovës. Pas heqjes së barrikadave, Qeveria u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Qeveria e Kosovës ka argumentuar se të gjitha makinat me targa të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës, duhet të riregjistrohen në RKS – Republika e Kosovës. Por, Serbia ka kërkuar që të përdoren targa KS, që janë neutrale ndaj pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, Prishtina dëshiron po ashtu që të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, të pajisen me dokument për hyrje/dalje, sikurse pajisen shtetasit kosovar kur hyjnë në Serbi.

Kosova ka propozuar që të hiqet krejtësisht dorë nga lëshimi i këtyre dokumenteve, nëse Serbia vepron njësoj. Për lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje, palët kishin arritur marrëveshje vite më parë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Hill: Serbia ishte e përgatitur për negociata në Bruksel, por jo edhe të tjerët

RFE/RL

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Serbia shkoi e përgatitur në rundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi që u mbajt në Bruksel më 18 gusht, ndërkaq, palët e tjetra, siç tha ai, nuk ishin të përgatitur “që të flasin për specifika”.

Gjatë një interviste për median në Beograd, N1, Hill tha se në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja po tentohen të bëhen dy gjëra: adresimi i çështjeve urgjente, përkatësisht vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për targat dhe dokumentet serbe dhe adresimi i çështjeve, siç tha ai, të rëndësishme.

“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”, tha Hill.

“Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika. Por po ashtu duhet t’i vendosni këto specifika në një kontekst më të gjerë dhe konteksti më i gjerë është çështja e komunitetit serb dhe se si ky komunitet do të jetojë në të ardhmen. Për mua është kyçe që komuniteti serb të ndihet si në shtëpi në Kosovë dhe të sigurt. Pra, janë disa përpjekje për të cilat duhet të bisedohet dhe besoj që këto përpjekje do të vazhdojnë”, shtoi ambasadori amerikan në Beograd.

Ai tha se në takimin midis Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ky i fundit shkoi i përgatitur “për të negociuar dhe vërtetë bëri punët e shtëpisë”.

Ky takim, nën ndërmjetësimin e BE-së, përfundoi pa asnjë marrëveshje.

“Prandaj, mendoj se ata [Serbia] vërtetë tentuan që të ishin fleksibil dhe për të gjetur zgjidhje”, tha Hill.

Raundi i ri i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë u thirr me synim që të ulen tensionet midis dy shteteve, pas ngritjes së barrikadave nga serbët lokalë në veri të Kosovës në fund të korrikut dhe fillimit të gushtit.

Pasditen e 1 gushtit, serbët lokalë në veri të Kosovës hoqën barrikadat, dhe Qeveria e Kosovës u pajtua që të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Ambasadori Hill tha se rezultatet e takimit të Brukselit ishin zhgënjyese, por shtoi se bisedimet po vazhdojnë dhe në këtë kuadër ai përmendi edhe vizitën e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atij të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak në Prishtinë.

“Bisedimet në Prishtinë do të jenë shumë të rëndësishme”, tha ai.

I pyetur nëse serbët në Kosovë do të jetonin më mirë nëse do të krijohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe – për të cilin Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dy marrëveshje në Bruksel – Hill u përgjigj:

“Jam besimtar i madh se duhet të punohet për një të ardhme për komunitetin serb, për ndonjë mekanizëm. Ka disa modele në mbarë Evropën për këtë”.

Hill shtoi se Asociacioni duhet të definohet më mirë, pasi sipas tij, “detajet janë shumë të rëndësishme për këtë çështje”.

“Njerëzit duhet ta dinë se si do të duket jeta e tyre”, theksoi ai.

Edhe Escobar kishte përmendur në të kaluarën se në shtetet evropiane ka modele sa i përket respektimit të gjuhës dhe trashëgimisë kulturore të minoriteteve, që mund të merren si udhëzues për krijimin e Asociacionit. Megjithatë, ai kishte thënë se Asociacioni duhet të jetë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe të mos “krijojë shtet brenda shtetit”.

Serbia kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, ndërkaq Kosova është kundër idesë për një asociacion njëetnik.

Escobar dhe Lajçak pas Prishtinës do të qëndrojnë edhe në Beograd. Vizita e zyrtarëve perëndimore në Kosovë dhe Serbi po shihet si përpjekje për të bindur palët që të gjejnë zgjidhje para 1 shtatorit, kur nis zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Vendimi i parë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PZ e të ngjashme – që lëshohen nga Serbia, konsiderohen ilegale nga Prishtina zyrtare.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, që hyjnë në Kosovë. Këtë dokument, Serbia ua lëshon shtetasve të Kosovës qe 11 vjet dhe derivon nga Marrëveshja për lirinë e lëvizjes që palët kanë arritur në Bruksel më 2011.

Serbia ka thënë se do një zgjidhje kompromisi për këto dy çështje, ndërkaq Kurti ka thënë se vendimet janë të bazuara në ligj, por edhe në marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut të Brukselit.

Kryeministri kosovar ka shprehur gatishmërinë që të heqë dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje/dalje, nëse edhe Serbia vepron njësojë.

Pas takimeve në Bruksel, Serbia ka pretenduar se ka ofruar zgjidhje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, por sipas Vuçiqit, ato janë refuzuar kryeministri Kurti.

Vuçiq ka thënë se ka kërkuar që makinat me targat që i lëshon Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës, në vend se të regjistrohen në RKS – Republika e Kosovës – të regjistrohen në KS – akronim që paraqet status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës.

Ndërkaq, sa i përket dokumenteve për hyrje/dalje, Beogradi ka kërkura që ato të mos lëshohen për serbët që jetojnë në Kosovë, veçmas në veri.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjet se a do t’i shqyrtojë zgjidhjet e kompromisit për të cilat ka folur Beogradi dhe a është e gatshme për ndonjë kompromis, por zyrtarët e Qeverisë kanë thënë se lidhur me këto çështje, është paraparë që Kurti t’i drejtohet publikut më 24 gusht.

Vulin thotë se “është i gabuar dhe i kotë” tentimi për izolimin e Rusisë

Fotografi e realizuar gjatë takimit midis ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, dhe sekretarit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikolai Petrushev.

RFE/RL

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, gjatë një takimi me sekretarin e Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikolai Petrushev, tha në Moskë se “është i gabuar dhe i kotë” tentimi për izolimin e Rusisë, pasi ky shtet për nga territori është më i madhi në botë, u tha në njoftimin e MPB-së serbe.

Vulin tha se përjashtimi i Rusisë nga organizatat ndërkombëtare, veçanërisht nga organizatat sikurse Interpol-i “do të ishte i dëmshëm dhe se një akt i tillë do të linte hapësirë vetëm për forcimin dhe zhvillimin e mëtejmë të krimit”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë ka zhvilluar vizitë dyditore në Moskë dhe më 22 gusht u takua me kryediplomatin rus, Sergei Lavrov. Pas takimit me Lavrovin, Vulin deklaroi se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe nuk është bërë pjesë e histerisë anti-ruse”.

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçiq, shkroi më 23 gusht në Twitter se kur një anëtar i Qeverisë serbe dërgon mesazhe anti-BE gjatë vizitës zyrtare në Moskë, të gjithë në Evropë e shohin këtë gjë.

“Çdo përparim në rrugën evropiane të Serbisë duhet të bazohet në përkushtimin e sinqertë dhe konstant ndaj parimeve, vlerave dhe politikave evropiane”, shkroi ai.
Për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, Rusia është nën sanksione të BE-së, Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera perëndimore.

Serbia ka votuar për disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus. Por, Serbia edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, refuzon që të harmonizojë politikat me bllokun evropian dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Qeveria e re pritet të formohet në Serbi dhe ende është e paqartë nëse Vulin do të jetë pjesë e ekzekutivit të ri.

Qatë takimit midis Vulinit dhe Petrushevit, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme serbe, është thënë se vitin e kaluar “bashkëpunimi midis Ministrisë së Brendshme serbe dhe autoriteteve të sigurisë së Federatës Ruse është përmirësuar ndjeshëm”.

Dy bashkëbiseduesit kanë theksuar se forcat e sigurisë të të dyja shteteve janë të përkushtuara që së bashku të luftojnë të gjitha llojet e krimeve, veçanërisht në luftën kundër trafikimit të drogës, terrorizmit dhe krimeve kibernetike.

Sipas raportimeve, Petrushev ka thënë se pala ruse “e çmon Serbinë si një mike të besueshme dhe partnere në skenën ndërkombëtare”.

Vuçiq takon ambasadorin amerikan Hill: Duam zgjidhjen e krizës, Asociacion për serbët

Aleksandar Vuçiq pohoi se Serbia po e trajton seriozisht gjetjen e një zgjidhjeje “për krizën aktuale të shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”.

Këto komente, kreu i shtetit serb i bëri pas një takimi me ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill, në Beograd. Në njoftimin e presidencës serbe theksohet se fokusi i bisedës së dy zyrtarëve ishte situata në rajon, raundi i dialogut i javës së kaluar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës,  dhe bashkëpunimi dypalësh.

Vuçiç është përpjekur t’i sqarojë ambasadorit Hill qëndrimet e Serbisë që ai përfaqëson në dialogun me Prishtinën. Ai insistoi se është duke marrë pjesë në dialog me “përgjegjësi dhe konstruktivitet”, por shtoi se serbët që jetojnë në Kosovë “kërkojnë pa kushte” formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

E rëndësishme, sipas presidentit serb, është Prishtina t’i përmbahet marrëveshjes që forcat speciale të Kosovës të mund të lëvizin në veri vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave, të banuara me shumicë serbe.

Marrëveshja vetë ndërkohë parashikon që Kosova të kërkojë pëlqimin e aleancës veri-atlantike për hyrjen në veri vetëm për Forcat e Armatosura të Kosovës (FSK).

Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, që u mbajt në 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Vuciq nuk arritën një ujdi për këto çështje. /TCH

I lindur në Gjakovë, vdes në Moskë nënkryetari i Kuvendit serb, gjenerali përgjegjës për vrasjen e mbi 2000 shqiptarëve

Nënkryetari i Kuvendit të Serbisë, njëherësh gjenerali në pension, Bozhidar Delic, ka vdekur në moshën 67-vjeçare, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga institucioni ligjvënës.

Shoqata e Veteranëve të Brigadës së Motorizuar 549, njoftoi se Delic vdiq pas një sëmundjeje të gjatë. Ai u tha se vdiq në Moskë të Rusisë, ku kishte shkuar për trajtim mjekësor.

Delic ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Serbisë më 2 gusht të këtij viti. Në zgjedhjet parlamentare të 3 prillit, ai kishte udhëhequr listën NADA (Shpresa).

Delic u lind në fshatin Lugbunar të Gjakovës më 8 janar 1956.

 

Ai ishte shef i shtabit të Brigadës së Motorizuar 715 të Ushtrisë së Republikës Sërpska gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Më pas ai u bë komandat i Brigadës së Motorizuar 549 gjatë luftës në Kosovë.

Në periudhën 2002-2005, ai ishte pjesëtar i Drejtorisë Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave dhe të Ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi. Ai u pensionua nga karriera ushtarake më 2005.

 

Si dëshmitar i mbrojtjes, ai dha dëshmi para Tribunalit të Hagës në gjykimin kundër ish-presidentit jugosllav, Slobodan Milloshevic dhe gjeneralit Vladimir Lazarevic.

 

Delic ishte pjesëtar i Partisë Radikale Serbe, lideri i së cilës, Vojslav Sheshel u dënua nga Tribunali i Hagës.
Më pas, më 2008 ai iu bashkua Partisë Përparimtare Serbe, që aktualisht është në pushtet në Serbi. Megjithatë, më 2011 u kthye të radikalët, por më 2020 u largua sërish nga partia e Sheshelit.

 

Më 16 gusht, Shoqata për krimet e luftës “Gjakova 98-99”, dorëzoi kallëzim penal kundër Deliqit në sektorin e krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

 

Shkëndije Hoda, përfaqësuese e kësaj organizate, tha se kanë mbledhur dëshmi civile për, siç tha ajo, krime që dyshohej se Delic i kishte kryer ndaj civilëve shqiptarë në luftën e fundit në Kosovë.

Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, kishte dorëzuar dy kallëzime penale për krimet e dyshuara në Kosovë, por autoritetet serbe asnjëherë nuk sollën para drejtësisë Bozhidar Delicin.
Sipas drejtorit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, brigada e komanduar nga Delic është përgjegjëse për vrasjen e mbi 2 mijë civilëve në komunat e Suharekës, Rahovecit dhe të Gjakovës

“Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi kanë bërë kallëzim ndaj Bozhidar Delicit dhe ndaj 10 personave të tjerë për krimet e kryera më 25 mars 1999-të në Tërrnjë të Suharekës. Në territorin nën përgjegjësinë e kësaj brigade janë kryer krime të shumta. Dhe ne kemi thënë që 2 mijë njerëz janë vrarë në komunat Suharekë, Rahovec dhe Gjakovë. Por, krimi më masiv është ai i Mejës ku mbi 365 civilë shqiptarë, nga forcat serbe. Në mesin e tyre ka vepruar edhe brigada “549”, kishte thënë Blakaj në Klan Kosova.

Në kallëzimet penale të dorëzuar nga Fondi, bëhej fjalë për krimet e dyshuara të kryera ndaj popullatës civile në Tërnje dhe Landovicë të Kosovës.

Pasi Delic ishte zgjedhur në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, kishte reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani kishte thënë se Delic ishte komandat i një brigade ushtarësh “që masakruan mijëra kosovarë”.

Reagimet për Delcin dhe dyshimet për vrasjen e civilëve shqiptarë nuk ishin pengesë që ai të emërohej nënkryetar i Kuvendit. Më herët, gjenerali serb ishte shpërblyer me “Urdhrin e Heroit Kombëtar”, për betejën e Pashtrikut.

Vulin në Moskë i quan sanksionet e BE-së ndaj Rusisë “histeri”

VOA/Artan Haraqija

Ministri i Brendshëm i Serbisë Aleksandar Vulin u takua të hënën në Moskë, me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov të hënën në Moskë, një vizitë e rrallë kjo nga një zyrtar shtetëror i një vendi evropian. Zoti Vulin theksoi refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.

Ministri i Brendshëm serb, i cili njihet për qëndrimet e tij pro-ruse dhe anti-perëndimore, deklaroi se i tha kryediplomatit rus, Sergei Lavrov se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione dhe nuk ka qenë pjesë e histerisë anti-ruse”.

Serbia, e cila kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, prej vitesh po largohet nga rruga e saj drejt në BE-së dhe po kthehet më shumë drejt aleatit tradicional sllav, Rusisë, por edhe Kinës.

Ministri Vulin konsiderohet si “njeriu i Moskës” brenda qeverisë serbe.

Ai ka mbrojtur krijimin e “botës serbe” që do të bashkonte të gjithë serbët në Ballkan nën një flamur të udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq.

Ky i fundit reagoi ashpër të hënën gjatë një interviste me radion publike britanike, BBC kur u pyet lidhur me kontaktet që mban me Moskën dhe pasi gazetarja i përmendi akuzën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se është interesi i Moskës që të zhvendosë konfliktin diku tjetër, për të destabilizuar Evropën.

Duke e ngritur zërin, zoti Vuçiq tha “s’kam folur me ta (Rusinë) prej një kohë të gjatë. Për herë të fundit me Putiniun kam folur para 3 apo 4 muajsh, lidhur me problemin e furnizimit me gaz. Ata (Kosova) vetëm duan ta shfrytëzojnë Rusinë duke folur për këtë. Të gjithë e dinë se këto akuza janë dështim i plot dhe gënjeshtra brutale. Ne kemi një ushtri neutrale, por ndërkohë do të kujdesemi për veten”.

Presidenti serb u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti më 18 gusht në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Takimi mbi pesë orë përfundoi pa marrëveshje, ndonëse ai u mbajt kryesisht për zbutjen e tensioneve të 31 korrikut kur serbët në veri të Kosovës bllokuan rrugët si reagim ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për masa reciproke, përfshirë edhe atë për konvertimin e targave të lëshuara nga Serbia me targa të Republikës së Kosovës.

I pyetur lidhur me vizitën e zotit Vulin në Moskë, të cilën gazetarja e quajti “interesante” për kohën në të cilën po zhvillohet, Presidenti serb tha se “Ju besoni se është interesante. Por, a nuk ishte interesante kur Karl Nehammer, udhëheqësi i Austrisë ishte atje, ose nuk ishte interesante kur presidenti turk, vendi i dytë më i fuqishëm i NATO-s e viziton Moskën, ju thoni që është interesante vetëm kur një nga ministrat e qeverisë së përkohshme të Serbisë po e viziton Moskën”, tha presidenti serb.

Zoti Vuçiq kujtoi se Serbia e ka dënuar në OKB sulmin në Ukrainë.

Po është e vërtetë që jemi miq tradicional dhe kemi marrëdhënie të mira, por a jemi kukullat e tyre, jo nuk jemi – Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë

“Po është e vërtetë që jemi miq tradicional dhe kemi marrëdhënie të mira, por a jemi kukullat e tyre, jo nuk jemi”, tha udhëheqësi serb.

Pjesëtari i qeverisë teknike serbe Aleksandar Vulin megjithatë ka folur hapur se si Serbia duhet të braktisë objektivin e saj të anëtarësimit në BE dhe në vend të kësaj t’i drejtohet Moskës dhe ai shpesh ka sulmuar fqinjët e Serbisë dhe udhëheqësit e tyre, duke i quajtur ata me emra poshtërues.

Vitin e kaluar, zoti Vulin kishte krijuar një “grup pune” me Nikolai Patrushevin, sekretarin e fuqishëm të Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, për të luftuar “revolucionet me ngjyra” apo protestat masive që kanë çuar në përmbysjen e regjimeve në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, ish-Jugosllavisë, Lindjes së Mesme dhe Azisë.

Sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press”, mediat e pavarura serbe raportuan se zoti Vulin në fund të vitit të kaluar, i dorëzoi Nikolai Patrushevit përgjimet nga një takim i mbajtur në Beograd nga anëtarë të opozitës ruse. Opozitarët rusë, duke e pasur të vështirë të mbajnë takime të tilla në Rusi, zgjodhën Beogradin për t’u takuar pasi nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në Serbi.

Menjëherë pas kësaj, disa nga ata që morën pjesë në takimin e mbajtur në Beograd u arrestuan në Rusi.

“Associated Press” shkruan se zoti Vulin nuk ishte bindës kur mohoi t’i kishte dorëzuar zotit Patrushev, kasetat me regjistrimin e takimit të Beogradit.

Zyrtarët e opozitës serbe kanë vënë në pikëpyetje qëllimin e vizitës së zotit Vulin në Moskë, ndërsa qeveria e re serbe pritet të formohet pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në prill. Shumica besojnë se udhëtimi i tij në Rusi u organizua nga Moska si një mënyrë për t’i bërë presion Beogradit për ta përfshirë atë në kabinetin e ri.

Kryediplomati rus, Sergei Lavrov kishte planifikuar të vizitonte Beogradin në qershor, por fqinjët e Serbisë që janë anëtarë të NATO-s refuzuan të lejojnë avionin e tij të fluturojë mbi territorin e tyre.

MinistriVulin tha në një deklaratë nga Moska të hënën se ai “ndjen keqardhje të thellë” për faktin që ministri Lavrov u pengua të vizitojë Beogradin në qershor nga vullneti i vendeve të tjera, duke theksuar se duke ndaluar vizitën zyrtare të ministrit Lavrov në Serbi, të gjitha parimet e së drejtës ndërkombëtare janë shkelur.”

Një pjesë e këtij materiali është marrë nga AP

Vulini takim me Lavrovin në Moskë, diskutime për çështjen e Kosovës

Të hënën, ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, pritet të takohet me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov gjatë një vizite pune në Moskë.

Në takimin mes Lavrov dhe Vulin pritet të ketë diskutime për bashkëpunime ndërmjet Rusisë dhe Serbisë dhe do të bisedojnë për çështje urgjente rajonale dhe ndërkombëtare.

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandër Botsan-Kharchenko ka theksuar se çështja e Kosovës dominoi në përgatitjet për takimin e sotëm.

Ky takim vjen, pak ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç diskutuan në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. gsh

Vuçiçi zbulon gjashtë pikat e propozuara nga Kosova për marrëveshjen përfundimtare

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe, i është drejtuar qytetarëve të Serbisë – duke thënë se në dhjetë ditët e ardhshme do të kërkojë zgjidhjen e problemeve.

Në takim me presidentin serb morën pjesë përfaqësues të Listës Serbe, krerë të komunave me shumicë serbë në Kosovës si dhe drejtorë të spitaleve, transmeton Telegrafi.

Duke folur për takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, Vuçiç tha se Prishtina zyrtare ka refuzuar të gjitha propozimet e Beogradit.

Madje ka zbuluar gjashtë pikat e propozuara nga pala kosovare sa i përket marrëveshjes përfundimtare:

1. Njohja e ndërsjellë dhe hyrja apo pranimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

2. Zgjidhja e problemit të zhdukurve, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, të zhvendosurve, shkatërrimi i pronës private dhe asaj publike, rikthimi i artefakteve dhe veprave tjera artistike që Serbia i mori nga Kosova, dhe në fund të paguhen dëmet e luftës nga ana e Serbisë.

3. Bashkëpunimi në të ardhmen.

4. Të drejtat që serbët e Kosovës i kanë në veri, t’i kenë edhe shqiptarët në Bujanoc dhe Preshevë.

5. Rishqyrtimi i marrëveshjeve të mëparshme.

6. Dhe krejt për fund marrëveshja përfundimtare./INA

Vuçiç: Prishtina na kërkoi njohjen reciproke dhe kompensimin e dëmeve të luftës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit që e pati me përfaqësuesit serbë nga Kosovë, ka dalë në një konferencë për media, ku mes tjerash foli edhe për rundin e fundit të dialogut në Bruksel, që u mbajt të enjten mes tij dhe kryeministrit të Kosovës, nën ndërmjetësimit e emisarit special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Sipas tij, Kosova erdhi me idenë për të diskutuar një marrëveshje të përgjithshme prej gjashtë pikash.

Në mesin e këtyre pikave, Vuçiq thotë se ishte edhe njohja reciproke dhe kompensimi i dëmeve të luftës, raportojnë mediat serbe.

“Prishtina erdhi me idenë për të diskutuar një marrëveshje të përgjithshme prej gjashtë pikash – njohjen reciproke dhe hyrjen e Prishtinës në organizatat ndërkombëtare; zgjidhja e problemeve nga e kaluara – mungesa dhe konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, të zhvendosurve, kthimi i artefakteve që gjoja ua ka vjedhur Serbia; financat, d.m.th kompensimet e luftës: bashkëpunimi në të ardhmen, marrëdhëniet e njëjta dhe të drejtat e njëjta të serbëve në Kosovë dhe Metohi si shqiptarët në Bujanoc dhe Preshevë; rishqyrtimi i marrëveshjeve të dakorduara më parë”, tha ai. syri.net

Vuçiç : Kemi informacione se Prishtina ka plane për të “likuiduar” serbët në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se në takimin e 21 gushtit në Beograd me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, mori mbështetjen e tyre që të punojë për të gjetur një zgjidhje kompromisi lidhur me vendimet e Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

I pyetur se cila do të ishte një zgjidhje e tillë, ai tha se “nuk e di”.

“Sapo ta kuptoj, do t’iu njoftoj. Ne do të përpiqemi, do të bëjmë më të mirën. Nëse mundemi, mundemi, nëse nuk mundemi, nuk mundemi”.

 

Vuçiç tha se Serbia dëshiron ta ruajë paqen dhe shtoi se “do të gjejmë më shumë propozime kompromisi”.

Sipas tij, ajo që kërkuan përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, gjatë takimit të së dielës, ishte që të mos përballeshin me përndjekje dhe Vuçiç tha se u ka garantuar se nuk do të lejojë një gjë të tillë.

 

“Nuk do të lejojmë pogromin dhe dëbim”, tha Vuçiç.

 

Kosova dhe Serbia, që dialogojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian që nga vitit 2011, kanë dallime sa i përket epilogut të procesit. Kosova dëshiron që marrëveshja për normalizimin e raporteve të ketë në qendër njohjen reciproke, ndërkaq Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi.

 

Presidenti serb tha se Serbia gjendet në një situatë shumë të vështirë dhe se “do të kërkojmë me dëshpërim një kompromis për 10 ditët e ardhshme. Shpresoj se do t’ia dalim”.

 

Ai iu referua datës 1 shtator kur Kosova ka thënë se do të rinisë zbatimin e dy vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, që rritën tensionet në veri të Kosovës në fund të korrikut dhe fillim të gushtit.

“A besojmë në këtë, kam frikë se edhe nëse do të jetë e suksesshme, na pret kurba tjetër, shumë shpejt, dhe pastaj ajo e radhës, dhe kam frikë se rubikoni është kapërcyer prej kohësh”, shtoi Vuçiç.

Gjatë adresimit drejtuar kombit më 21 gusht në Beograd, Vuçiç tha se ishte informuar se nëse nuk arrihet zgjidhje, serbët do të largohen nga institucionet dhe se do të ketë “zhbërje të rendit të Brukselit të dakorduar me marrëveshje”.

Vuçiç po ashtu ka deklaroi se ka informacione se para përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës më 31 korrik, një grup çeçenësh dhe çerkezësh, të cilët janë kundërshtarë të regjimit të liderit çeçen Ramzan Kadyrov, kanë qëndruar në Kosovë.

Ai tha se detyra e tyre ishte të vëzhgonin situatën në veri të Kosovës dhe të rekrutonin ushtarë potencialë për të luftuar në Ukrainë.

Kosova do “marrëveshje me gjashtë pika”
Vuçiç tha se Kosova në rundin e fundit të dialogut në Bruksel më 18 gusht, që përfundoi pa asnjë marrëveshje, kishte shkuar për të diskutuar për një marrëveshje të përgjithshme për normalizimin e raporteve me gjashtë pika.

Sipas tij, këto pika janë: Parimet e përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe: njohja reciproke dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare; Zgjidhja e problemeve nga e kaluara: zgjidhja e problemit të të pagjeturve, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, zgjidhja e çështjes së të zhvendosurve, e shkatërrimit të pronës private dhe publike e kthimi i objekteve dhe që dëmshpërblimet e luftës që Serbia duhet t’i paguajë të gjitha. Pastaj bashkëpunim në të ardhmen; Respektim reciprok sa i përket të drejtave të serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës; Rishqyrtimi i marrëveshjeve të dakorduara më parë dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe dispozitat përfundimtare.

Pas takimeve në Bruksel, Qeveria e Kosovës kishte bërë të ditur se kishte diskutuar për dy çështje, për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes përfundimtare dhe për targat e dokumentet serbe.

“Kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë”, u tha në deklaratën e Qeverisë të lëshuar mbrëmjen e 18 gushtit.

Në Beograd, Vuçiç tha se ditëve të fundit në mesin e popullatës serbe në Kosovë ka mbretëruar frika dhe tha se ata “janë të mbështetur për muri”. Ai tha se në rundin e fundit të dialogut në Bruksel, Prishtina ka refuzuar çdo propozim për targat dhe dokumentet serbe.

Kosova “dëshiron dëbimin e serbëve”
Por, sipas presidentit serb mesazhi i Serbisë për popullatën serbe në Kosovë është se “pa marrë parasysh se çfarë është situata, nuk do të ekzistojnë kolonat e refugjatëve sepse ne do të shpëtojmë popullin tonë nga persekutimi”.
Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takuan në Bruksel më 18 gusht në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Takimet në Bruksel përfunduan pa marrëveshje rreth tensioneve të fundit, që kanë të bëjnë me dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Presidenti serb përsëriti se në Bruksel është kërkuar që të kthehen targat KS, për të zëvendësuar ato që i lëshon Serbia për Kosovën (KM, UR, PR e të ngjashme), por ky propozim është refuzuar.

Targat KS kanë status neutral karshi shtetësisë së Kosovës.

“Atyre nuk u intereson ta zbatojnë atë, vetëm se si u shkatërruan jetët e serbëve nga Kosova dhe Metohia. Ata refuzuan gjithçka. Dhe targat KS, dhe gjithçka. Sepse i vetmi qëllim i torturimit të popullit tonë në Kosovë është dëbimi përfundimtar i tyre”.

“Qëllimi është shfuqizimi i çdo gjëje që ka të bëjë me shtetin serb dhe të bëhet përndjekja e serbëve nga Kosova”, shtoi Vuçiç.

Në dialogun e Brukselit,Vuçiç tha se të gjitha propozimet e Serbisë ishin që të gjendej një kompromis, por ato nuk u pranuan nga Kosova.

Ai po ashtu foli edhe për vendimin e Kosovës për dokumentin për hyrje-dalje, në vlefshmëri prej 90 ditësh. Sipas tij, lëshimi i këtyre dokumenteve nga Kosova është një “çmenduri.

“Serbët duhet të marrin sërish vizë për të jetuar në shtëpinë e tij. QUINT pajtohet, të paktën ata në Prishtinë. Ata në Bruksel ishin më korrektë”, tha Vuçiç.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës për të kundërshtur dy vendimet e Qeverisë në Kurtit, për targat dhe dokumentet serbe.

Por, pasi barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për një muaj.

Vendimi i parë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PZ e të ngjashme – që lëshohen nga Serbia, konsiderohen ilegale nga Prishtina zyrtare.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, që hyjnë në Kosovë. Këtë dokument, Serbia ua lëshon shtetasve të Kosovës qe 11 vjet dhe derivon nga Marrëveshja për lirinë e lëvizjes që palët kanë arritur në Bruksel më 2011.
Rundi i dialogut më 18 gusht u thirr për të ulur tensionet mes palëve, pas ngritjes së barrikadave dhe BE-ja tha se

Por, edhe pas heqjes së barrikadave, zyrtarët në Prishtinë dhe Beograd ashpërsuan retorikën. Kryeministri Kurti tha për REL-in në fillim të gushtit se situata në veri ka mundur të përshkallëzohej në konflikt të armatosur. Ndërkaq, Vuçiç deklaroi në Beograd se kishte informacione për plane të Prishtinës për të “likuiduar” serbët në Kosovë.
Bashkimi Evropian u ka kërkuar palëve që të ndalojnë retorikën nxitëse, duke paralajmëruar se do të mbajë përgjegjës udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nëse ka përshkallëzim të situatës.

Përderisa situata në veri të Kosovës është e qetë dhe stabile, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ditëve të fundit ka rritur prezencën në këtë pjesë të shtetit.

Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 17 gusht ka pranuar se KFOR-i ka shtuar prezencën në veri, teksa ka përsëritur qëndrimin se forcat e Aleancës janë të gatshme të ndërhyjnë, nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë./REL

Vuçiq takohet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova

Takimi midis presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova. Beograd, 21 gusht 2022.

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar në Beograd më 21 gusht me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Ky takim në Beograd pason takimin midis Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel më 18 gusht në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Takimet në Bruksel përfunduan pa asnjë marrëveshjes.

Vuçiq më pas njoftoi se do të takohej me rrethin e gjerë të përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, përfshirë përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë udhëheqëse të serbëve në Kosovë që ka lidhje të ngushta me Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiqit.

Në takimin e 21 gushtit ka marrë pjesë edhe Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, i cili është në listën e zezë amerikane që nga dhjetori i vitit 2021 dhe ka një urdhërarrest aktiv nga Kosova.

Urdhërarresti ka të bëjë me dyshimet për frikësim dëshmitarësh në rastin e njohur si “Brezovica”.

Pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nuk pati deklaratë për media, por Vuçiq pritet të mbajë një adresim drejtuar kombit më vonë gjatë ditës.

Takimet në Beograd vijnë teksa data e 1 shtatorit po afrohet. Në këtë datë do të rinisë zbatimi i dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, që nxitën serbët lokalë në Kosovë të ngrenë barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht.

Por, pasi barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për një muaj.

Vendimi i parë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PZ e të ngjashme – që lëshohen nga Serbia, konsiderohen ilegale nga Prishtina zyrtare.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, që hyjnë në Kosovë. Këtë dokument, Serbia ua lëshon shtetasve të Kosovës qe 11 vjet dhe derivon nga Marrëveshja për lirinë e lëvizjes që palët kanë arritur në Bruksel më 2011.

Bashkimi Evropian ka thënë se Vuçiq dhe Kurti janë pajtuar që të vazhdojnë dialogun për të gjetur zgjidhje për çështjen e targave dhe dokumenteve, teksa Beogradi ka pretenduar se Kurti në rundin e dialogut të 18 gushtit ka refuzuar të gjitha propozimet e prezantuara nga Vuçiqi.

Kryeministër për 115 ditë, flet Abazoviç pas rrëzimit të qeverisë

Kuvendi i Malit të Zi votoi mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviqit, një orë pas mesnatës së 20 gushtit. Qeveria e tij u rrëzua me 50 vota pro dhe një kundër.

 

Abazoviç tha se e pranonte humbjen po menjëherë fajësoi lidhjet me krimin e organizuar për rënien e qeverisë së tij.

“Përgëzoj koalicionin e ri të (Alekse) Beçiqit dhe Gjukanoviqit, jemi gati të pranojmë humbjen. Më vjen keq që krimi i organizuar në Mal të Zi vazhdon të përdorë tentakulat e tij për të rregulluar marrëdhëniet politike”, tha zoti Abazoviç.

Ai shtoi se nëse formohet qeveria e re para zgjedhjeve, ai nuk do të marrë pjesë në to.

Abazoviç kryeministër për 115 ditë

Qeveria e Dritan Abazoviqit është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë.

Dritan Abazoviq ishte kryeministri i parë i Malit të Zi, i cili i përket një komuniteti kombëtar pakicë. Ai e gjeti veten në krye të shtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur përfundoi qeverisja tridhjetëvjeçare e Partisë Demokratike të Socialistëve Milo Gjukanoviq. Në atë kohë, Lëvizja Civile URA e Abazoviqit ishte “pika e kthesës” për formimin e një qeverie të re në Mal të Zi.

Në qeverinë e mëparshme të Zdravko Krivokapiqit, ai ishte nënkryetar. Pas inicimit të rrëzimit të Qeverisë së Krivokapiqit në shkurt të këtij viti, Abazoviq u bë kryeministër i ri me ndihmën e Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit në fund të prillit.

Çfarë ndodh tani?

Rënia e Qeverisë hap mundësinë e formimit të një Qeverie të re, të tretë, bazuar në rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të gushtit 2020.

Në periudhën në vijim partitë politike do të fillojnë negociatat për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi.

Nëse një grup i caktuar politik mbledh 41 nënshkrimet e deputetëve, ata do të mund t’i paraqesin kërkesë presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për t’i dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së tretë./REL/

Milionat e Serbisë për kompanitë energjetike në Kosovë

Famuri i Serbisë dhe flamuri i kompanisë energjetike të Serbisë. 30 dhjetor 2021.

Sonja Goçanin

Kompania energjetike e Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije) është themeluese e katër kompanive nga Kosova, por aktualisht asnjëra prej tyre nuk e kryen aktivitetin për të cilin është themeluar.

Në këto kompani janë të punësuar rreth 3.300 punëtorë dhe EPS-ja ka ndarë rreth 42 milionë euro për punën e tyre në vitin 2021.

Në një raport për problemet në sektorin energjetik në Serbi në korrik të vitit 2022, Këshilli Fiskal i Serbisë deklaroi se EPS-ja vetëm i “mbështet” ata punëtorë, pasi nuk ka kontroll mbi asetet dhe operacionet e kompanive nga Kosova.

“Elektrosever” ka licencë, por ende nuk operon në Kosovë

E vetmja kompani që ka licencë për të punuar në Kosovë është “Elektrosever”, e cila ende nuk është funksionale.

Kompania “Elektrosever” është kompania më e re e EPS-së në Kosovë. Ajo është themeluar në vitin 2016 me qëllim të furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Ndryshe, që nga viti 1999, banorët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nuk i kanë paguar faturat për energjinë e konsumuar. Sipas të dhënave të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), humbjet vetëm për vitin 2021 arritën shumën prej 40 milionë eurosh.

Që nga viti 2017, sipas autoriteteve të Kosovës, borxhet për energji elektrike janë mbuluar nga KOSTT, gjegjësisht Qeveria e Kosovës. Deri atëherë, borxhin për veriun e paguanin paushall qytetarët e Kosovës nga komunat tjera në jug të Ibrit, kështu që faturat e tyre ishin më të larta për 3.5 për qind, por u konstatua se kjo praktikë ishte e kundërligjshme.

Themelimi i “Elektrosever” ishte paraparë me Marrëveshjen për Energjinë të vitit 2013 dhe 2015 ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe kompania është themeluar në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

Kosova dhe Serbia më 21 qershor të vitit 2022 në Bruksel kanë miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes. Në bazë të asaj marrëveshjeje, më 24 qershor, Zyra e Rregullatorit për Energji të Kosovës (ZRRE) i ka lëshuar licencën për furnizim kompanisë “Elektrosever”.

Mirëpo, siç ka raportuar REL në korrik, “Elektrosever” ende nuk i ka ofruar Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe KOSTT-it të dhënat që ka në dispozicion për konsumatorët në veri të Kosovës.

“Elektrosever” gjithashtu nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun për energji të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një intervistë për REL në gusht tha se kjo tregon se Serbia nuk i respekton obligimet e saj.

“I kemi pasur dy javë për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që ta bëjë licencimin e kompanisë në veri. E ka bërë për dy ditë. Ndërkaq edhe sot, pas shumë e shumë javëve, që është dashur të na dorëzohet regjistri i fundit i konsumatorëve në veri, Serbia nuk e ka bërë”, deklaroi Kurti.

EPS-ja nuk i ka kthyer përgjigje REL-it nëse “Elektrosever” ka nisur punën dhe se kur do të dorëzojë të dhënat e nevojshme dhe të nënshkruajë marrëveshje me institucionet e Kosovës.

Kurti po ashtu tha në intervistën për REL-in se situata është shqetësuese pasi Kosova nuk ka mundësi të paguajë faturat për veriun e Kosovës gjatë dimrit të ardhshëm.

“Unë e di që nëse do ta shkëputnim veriun e Kosovës në Mitrovicë, në kuptimin e furnizimit me energji elektrike, menjëherë do të fillonte fushata për krizën humanitare në veri”, tha ai.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë parasheh që “Elektrosever” të marrë përgjegjësitë e “Elektrokosmet”, një tjetër kompani që funksionon në kuadër të kompanisë energjetike të Serbisë.

“Elektrokosmet” pa juridiksion në Kosovë

“Elektrosever” është e regjistruar në të njëjtën adresë në Mitrovicën e Veriut në Kosovë, si seli e përkohshme e “Elektrokosmet”, kompani e cila ekziston që nga viti 1989.

“Elektrokosmet” dhe EPS-ja nuk i janë përgjigjur pyetjes së REL-it nëse planifikohet mbyllja pasi “Elektrosever” të marrë përgjegjësitë e asaj kompanie.

Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, punëtorët e “Elektrokosmet” ose do të punësohen në kompaninë e re, ose mund t’u ofrohet punësim në KEDS.

Kjo kompani në vitin 1999, pas luftës në Kosovë, siç pretendohet në raportin vjetor të biznesit të vitit 2021, ka humbur kontrollin mbi kapacitetet e saj energjetike në Kosovë, përveç në veri.

Në fund të vitit 2009, kompania [“Elektrokosmet”] filloi leximin dhe dërgimin e faturave të energjisë elektrike në veri të Kosovës, të cilat autoritetet kosovare i konsiderojnë të paligjshme për shkak se kjo kompani nuk ka licencë për t’u angazhuar në këtë aktivitet. Prandaj qytetarët e veriut të Kosovës nuk ishin të obliguar t’i paguanin ato.

Në raportin e kompanisë mund të gjenden edhe informacione se nga viti 2020 “Elektrokosmet” do të furnizojë vetëm komunitetin lokal të Leshakut dhe Trepçës në Leposaviq, që përbën rreth 13 për qind të sipërfaqes së pjesës veriore të Kosovës, ku popullsia furnizohet me energji elektrike.

Që atëherë, kompania nuk ka lëshuar as faturat e energjisë elektrike, pasi siç pretendojnë në raport, që nga ai vit energjia nuk merret më nga sistemi i EPS-ot, por nga KOSTT-i.

Nga viti 2020, KOSTT-i punon në mënyrë të pavarur dhe kontrollon kufijtë energjetikë të Kosovës.

Kompania “Elektrokosmet” edhe pse është e regjistruar për dërgimin dhe faturimin e energjisë elektrike, në raport theksohet se pjesën më të madhe të të ardhurave nuk e realizojnë në këtë mënyrë, por duke ofruar shërbime për sektorë të caktuar të EPS-së.

Kompania ka 464 punonjës dhe në vitin 2021 ka funksionuar me një humbje prej 6.8 milionë eurosh.

Kompanitë në humbje, pa një aktivitet të qartë

Përveç “Elektrokosmet-it”, EPS-ja është themeluese e dy kompanive të tjera nga Kosova që nuk janë marrë me aktivitetin për të cilin janë themeluar me dekada dhe po operojnë me humbje. Selia e tyre është në Beograd.

Që nga viti 1999, kompania publike Termocentrali “Kosova” nuk operon në territorin e Kosovës dhe nuk ka kontroll mbi termocentralet në këtë shtet.

Ndonëse është e regjistruar për aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike, kjo kompani ka më shumë se 700 punonjës të cilët, siç thuhet në faqen e kompanisë, merren me remontin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme për sektorët e EPS-së.

Humbjet e kompanisë për vitin 2021 ishin 11.5 milionë euro.

Në vitin 2021 edhe kompania “Minierat sipërfaqësore të Kosovës” [“Površinski kopovi Kosovo”] shënoi humbje prej rreth 2.8 milionë eurosh. Ajo është regjistruar në vitin 1991 për shfrytëzimin e linjitit dhe qymyrit të murrmë, por gjithashtu që nga viti 1999 nuk ka kontroll mbi minierat në Kosovë dhe nuk është e angazhuar në aktivitetin e saj kryesor.

“Një numër i madh punëtorësh janë të punësuar në EPS dhe kompanitë që ajo i ka themeluar, për riparime të pajisjeve të energjisë termike, mirëmbajtje të vazhdueshme, menaxhim të makinerive në funksion…”, thuhet në raportin vjetor të kompanisë për vitin 2021.

Këshilli Fiskal: Kompanitë e EPS-së në Kosovë, kosto e pastër

Në korrik, Këshilli Fiskal i Serbisë, një organ i pavarur shtetëror, u mor me punën e kompanive të përmendura në raportin e titulluar: “Problemet strukturore të energjisë serbe në dritën e krizës globale: shkaqet, kostot dhe zgjidhjet e mundshme”.

Në raportin e Këshillit Fiskal thuhet se EPS-ja ka shpenzuar 45 milionë euro në vitin 2020 për pagat e punonjësve të këtyre kompanive (me përjashtim të “Elektrosever”, e cila nuk ka funksionuar dhe nuk është përfshirë në raport), dhe rreth 42 milionë euro në vitin 2021. Bëhet fjalë për 3.300 punëtorë, sipas të dhënave në fund të vitit 2020.

“Nga pikëpamja e EPS-së, këto shpenzime paraqesin një kosto të pastër”, thuhet në raport dhe shtohet se kjo është për shkak se punëtorët në Kosovë de fakto “nuk kontribuojnë në proceset e prodhimit në kompani”.

Në raport po ashtu thuhet se financimi i këtyre kompanive është barrë për EPS-në sepse ajo, pas vitit 1999, nuk ka pasur kontroll mbi asetet dhe operacionet e këtyre kompanive.

Sllobodan Miniq, këshilltar special i Këshillit Fiskal, i cili ka punuar në raportin e lartpërmendur, po ashtu thotë se ka dyshime edhe për ligjshmërinë e pagesave të pagave për punëtorët nga Kosova.

“E gjithë situata me pagesat e pagave për punëtorët në Kosovë ka dalë në Gjykatën Kushtetuese dhe ato pagesa janë shpallur të kundërligjshme. Nuk jemi në dijeni nëse në ndërkohë është gjetur një zgjidhje alternative ligjore në bazë të së cilës EPS-ja vazhdon t’i paguajë ata”, tha Miniq.

Përkatësisht, pagat për punëtorët nga Kosova që punojnë në shërbime publike paraprakisht janë paguar në bazë të Konkluzionit të Qeverisë së Serbisë të vitit 2003, dhe konkluzioni parasheh paga më të larta për punëtorët nga Kosova në krahasim me të punësuarit në kompanitë në Serbi, me shpjegimin se janë “në pozitë të pabarabartë me qytetarët e tjerë”.

Ky konkluzion u kundërshtua nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë në vitin 2010, duke theksuar, ndër të tjera, se masa të tilla mund të merren vetëm me ligj.

REL-i nuk ka marrë përgjigje nga EPS-ja dhe kompanitë e saj se në bazë të cilës rregullore ua paguan pagat punëtorëve nga Kosova.

Miniq thotë se për momentin EPS-ja ka problem edhe me punëtorët e tepërt, të cilët përbëjnë rreth 10 për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve.

“Është e vështirë të vlerësohet nëse të gjithë punëtorët [në kompanitë nga Kosova] janë tepricë apo nëse disa prej tyre mund të gjejnë punësim të përhershëm në EPS. Kjo është arsyeja pse ne rekomanduam në raport që të gjenden zgjidhje për ato kompani”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë ka njohuri se disa punëtorë të EPS-së në zonat e banuara me serbë në Kosovë janë vetëm në listën e pagave, por nuk janë të punësuar, gjë që ua mundëson atyre që të punojnë pa probleme në sistemin e Kosovës.

Të dy sistemet, në Serbi dhe në Kosovë, nuk e njohin njëri-tjetrin, pra nuk ka asnjë bashkëpunim apo pasqyrë të administratës.

Nga ana tjetër, ka edhe nga ata që punojnë për një periudhë të caktuar kohore nëpër qytete të Serbisë.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të marrë deklarata nga këta punëtorë, por ata nuk kanë dashur të flasin publikisht.

“EPS – peng i politikës”

Duke financuar kompanitë që nuk angazhohen në aktivitetet për të cilat është themeluar EPS-ja, ajo bëhet peng i politikës, beson Miniq.

“Është një problem më i gjerë politik dhe social që mbetet në kuadër të EPS-së për ta trajtuar atë. Nëse ka punëtorë që nuk kontribuojnë në proceset e prodhimit të EPS-së, do të ishte një zgjidhje më e pastër që shteti të hartonte një program social për ata persona jashtë bilancit të EPS-së”, thekson ai.

Me humbje është duke operuar edhe Kompania energjetike e Serbisë, humbje të cilat më 2021 arritën shifrën prej rreth 141 milionë eurosh.

Ministria e Minierave dhe Energjetikës së Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se si dhe kur pritet të zgjidhet statusi i kompanisë EPS nga Kosova.

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian 11 vjet më parë.

Palët arritën një Marrëveshje për energjinë në vitin 2013, ndërsa në vitin 2022 miratuan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për energjinë.

Më 9 gusht, Bashkimi Evropian deklaroi se zbatimi i Udhërrëfyesit po vonohet dhe fajin për këtë ua la “teknikaliteteve”.

Kontribuoi: Sandra Cvetkoviq

Twitter pezullon llogaritë e politikanëve në Serbi

RFE/RL

Kompania Twitter ka pezulluar llogaritë e disa deputetëve dhe politikanëve të Partisë Përparimtare Serbe, e cila është në pushtet në Serbi, dhe të një zyrtari qeveritar.

Në mesin e personave që u është pezulluar llogaria në rrjetin social Twitter është edhe Arno Gujon, drejtor i Drejtorisë për bashkëpunim me diasporën dhe serbët në rajon, i cili është emëruar në këtë pozitë më 2020 nga Qeveria e Serbisë.

“Twitter sapo pezulloi llogarinë time ku kisha 34.000 ndjekës, pa dhënë asnjë shpjegim”, tha Gujon përmes një postimi në Facebook.

Edhe pse Gujon është i njohur për publikun në Serbi si një humanist që ndihmon serbët në Kosovë, aktiviteti i tij politik është i lidhur me lëvizjen identitare të ekstremit të djathtë.

Twitter pezulloi llogaritë e 12 anëtarëve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq.

Në mesin e llogarive të pezulluara është edhe llogaria e organizatës joqeveritare CRTA që monitoron punën e Kuvendit. Në mesin e personave që u janë pezulluar llogaritë në Twitter janë: Nevena Gjuriq, Sandra Bozhiq, Milica Nikoliq, Jelena Obradoviq, Aleksandar Markoviq, Kërsta Janjusheviq, Dushan Radojeviq, Jelena Zhariq-Kovaçeviq, Aleksandra Tomiq, Stasha Stojanoviq, Zoran Tomiq dhe Andrijana Vasiq.

Kompania Twitter po ashtu pezulloi llogaritë e disa anëtarëve të lartë të SNS-së, përfshirë edhe kryetarit të qytetit të Beogradit, Miroslav Çuçkoviq, si dhe Slavisha Miçanoviqit, që sipas mediave udhëheq ekipin për media të SNS-së.

Kompania Twitter nuk ka komentuar menjëherë lidhur me pezullimin e llogarive të zyrtarëve serbë.

Siç thuhet në faqen zyrtare, Twitter ka të drejtë të pezullojë llogari nëse këto llogari shkelin rregullat e kompanisë.

“Shumica e llogarive që ne pezullojmë, pezullohen sepse ato janë të rreme ose paraqesin rreziqe të sigurisë për Twitter apo për këto që përdor Twitter-in”, thuhet në faqen e kësaj kompanie.

Në ueb-faqen e Twitter-it po ashtu thuhet se llogaritë mund të pezullohen nëse të njëjtat dyshohet se janë hakuar. Pezullimi në raste të tilla zgjat derisa llogaria t’i kthehet pronarit.

Kompania po ashtu mund të pezullojë llogari nëse janë në kundërshtim me politikat e kompanisë.

Jens Stoltenberg: NATO garanton dhe do të marrë çdo masë për të ruajtur sigurinë në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg reagoi me dy tweet në Twitter rretha takimeve që kishte patur sot me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Sebisë Aleksandër Vuçiq. Në të dy tweetet Jens Stoltenberg garanton dhe do të marrë çdo masë për të ruajtur sigurinë në Kosovë.

Në tweet-in për takimin me PM e Kosovës Albin Kurti, Jens Stoltenberg shkruan: do të marrë çdo masë për të ruajtur sigurinë në Kosovë: “Takimi i mbarë me/@albinkurti . #NATO është plotësisht e përkushtuar ndaj @NATO_KFOR-it tonë. Misioni dhe mandati i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është për të garantuar sigurinë dhe sigurinë për të gjitha komunitetet në #Kosovë. Të gjitha palët duhet të angazhohen pozitivisht në bisedimet e nesërme të ndërmjetësuara nga BE dhe të zgjidhin çështjet përmes dialogut.”

Në tweet-in për takimin me Aleksandër Vuçiq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg shkruan: “Takimi i mirë me Presidentin e Serbisë @avucic për situatën në veri të #Kosovës dhe më gjerë në rajon. @NATO_KFOR do të marrë çdo masë të nevojshme për të ruajtur sigurinë dhe sigurinë për të gjitha komunitetet. Të gjithë duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun Beograd-Prishtinë të udhëhequr nga BE-ja.”

 

Kallëzim penal për krime lufte ndaj nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë

RFE/RL

Organizata joqeveritare “Krimet e Luftës në Gjakovë” më 16 gusht dorëzoi në Prokurorinë Speciale të Kosovës kallëzim penal për krime lufte ndaj tashmë nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, Bozhidar Deliq.

Shkëndije Hoda, përfaqësuese e kësaj organizate, tha se kanë mbledhur dëshmi civile për, siç tha ajo, krime që dyshohet se Deliq i ka kryer ndaj civilëve shqiptarë në luftën e fundit në Kosovë.

“Në fakt janë tri kallëzime penale të bashkëngjitura me disa dokumentacione faktike, një lloj ditari i operimit të brigadës”, tha Hoda.

Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, Bozhidar Deliq ishte komandant i Brigadës së 549 të ushtrisë jugosllave.

Hoda tha se kanë besim që organet e drejtësisë do të kryejnë punën në hetimin e këtyre krimeve, duke marrë për bazë dëshmitë që i ka ofruar kjo organizatë.

Sipas përfaqësuesve të organizatës që dorëzoi sot kallëzimin penal, civilë nga rrethi i qytetit të Gjakovës e kanë identifikuar Deliqin si person që “ka kryer krime lufte”.

Ndryshe, Bozhidar Deliq, fëmijërinë e hershme e ka kaluar në fshatin e tij të lindjes, Lugbunar të Gjakovës dhe më pas është zhvendosur në Beograd ku dhe përfundoi akademinë ushtarake.

Më 2 gusht, anëtarët e Kuvendit serb zgjodhën shtatë nënkryetarë, në mesin e të cilëve edhe Bozhidar Deliq nga koalicioni NADA (Shpresa).

Për zgjedhjen e tij në këtë post kishte reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ajo tha se Deliq ka qenë i përfshirë në luftën në Kosovë.

Osmani tha se nënkryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Serbisë ishte “komandanti i një brigade ushtarësh që masakruan mijëra kosovarë”.

Radio Evropa e Lirë ka intervistuar banorët e dy fshatrave Tërrnje dhe Landovicë, ku dyshohet që janë kryer krime kundër popullsisë civile shqiptare nga brigada që udhëhiqte Deliq. Ata shprehën mllef dhe zemërim që deri më tani ai nuk është përballur me drejtësinë.

Ndërkaq, Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, që heton krimet e luftës, ka ngritur dy kallëzime penale kundër Bozhidar Deliq për ato që ata tha se ishin krime në Kosovë.

Deri tani nuk ka nisur ndonjë proces penal ndaj tij në Serbi.

Ditën kur fillon zbatimi i vendimit për targat, Vuçiq, Rama e Kovaçevski do të hapin panairin e verës në Beograd

Në Beograd prej 1 deri më 4 shtator 2022 do të mbahet panairi i parë ndërkombëtar për verë “Vizioni i verës në Ballkanin e Hapur” i cili organizohet nën patronatin e qeverive të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”, njofton agjencia e lajmeve MIA

Panairi “Vizioni i verës në Ballkanin e Hapur” në një vend do t’i tubojë mjeshtrit në prodhimin e verërave më të mira dhe do ta promovojë Ballkanin si destinacion turistik, gjeografinë e tij dhe pasurinë e llojeve të verërave.

Në kuadër të manifestimit të përmendur në Panairin e Beogradit pritet të marrin pjesë mbi 332 ekspozues nga 22 vende. Do të prezantohen 160 ekspozues nga Serbia, 26 nga Shqipëria, përderisa 47 ekspozues do të vijnë nga Maqedonia e Veriut. Krahas vendeve-anëtare të Ballkanit të Hapur, priten ekspozues edhe nga Kroacia, Mali i Zi, Franca, Kili, Argjentina, Italia, Bosnja e Hercegovina dhe vende të tjera.

“Vizioni i verës në Ballkanin e hapur” solemnisht do të hapet më 1 shtator nga ana e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, ndërsa për më 2 shtator është planifikuar edhe samit i liderëve.

Gjatë Panairit, vizituesit do të kenë mundësi të shohin salla të ndryshme të definuara tematike dhe do të mund të edukohen dhe të mësojnë gjithçka që dëshirojnë të dinë për historinë dhe prejardhjen e verës, procesin e prodhimit, llojet e verërave, konsumimin dhe t’i shijojnë dhe të blejnë disa nga verërat më të mira në rajonin e Ballkanit dhe botës.

Pjesë përbërëse e “Vizionit të verës në Ballkanin e Hapur” do të jenë takimet afariste të ekspozuesve të verërave, përfaqësues të zinxhirëve kryesorë tregtarë dhe përfaqësues të industrisë HORECA. Ajo gjithashtu do të jetë mundësi për të gjithë ekspozuesit që plotësisht ta përmirësojnë bashkëpunimin, t’i ndërlidhin industritë rajonale të verërave dhe të ngjashme, si dhe t’i përforcojnë partneritetet afariste dhe kontaktet. Plotësisht, gjatë Vizionit të verës në Ballkanin e Hapur do të mbahet edhe Panairi i ushqimit në të cilin do të prezantohen të gjitha specialitetet më të njohura gastronomike nga kjo pjesë e Evropës.

Gjatë ngjarjes katërditore do të organizohet vlerësim ndërkombëtar i verës “Ballkani i Hapur-trofeu i verës”. Verërat do t’i vlerësojnë 25 arbitra ndërkombëtarë të verës nga e mbarë bota, ndërsa mes tyre do të ketë madje pesë bartës të titullit “Master of Wine” q[ë është titulli më prestigjioz i verës në botë.

“Ballkani i Hapur” është nismë ekonomike dhe politike e bazuar në vlera të bashkimit Evropian, në të cilën bëjnë pjesë tre vende – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Ideja e kësaj nisme është të sigurojë mundësi më të mëdha dhe më të mira për tregti, këmbim të punëtorëve, studentëve dhe njohurive, si dhe nxitje të integrimit të mëtutjeshëm në BE, duke e promovuar me atë rast kulturën dhe traditën e tre vendeve.

35-vjeçari hyn me eksploziv në Gjykatën e Apelit dhe alarmon autoritetet

Një person i panjohur ka hyrë në parkingun e Gjykatës së Apelit në Athinë me makinën e tij.

Ai “u tërbua” dhe pretendoi se me vete kishte eksploziv dhe drogë.

Alarmi është ngritur mëngjesin e së shtunës në Gjykatën e Apelit në Athinë, pasi burri i panjohur hyri me makinën e tij në parkingun, nga hyrja e rrugës Loukareos, shkruan protothema.

Burimet bëjnë me dije se burri rreth 35 vjeç pretendonte se kishte futur në automjet lëndë plasëse dhe lëndë narkotike, por hetimet e para nga TEEM nuk i verifikuan fjalët e tij. Policia po vijon hetimet për të zbardhur motivet e autorit.dita

Greqia “zien” nga skandali i përgjimeve, nisin dorëheqjet, kush është gazetarja dhe politikani i njohur që u përgjuan nga shërbimi sekret

Shërbimi sekret grek ka përgjuar një gazetare dhe një politikan me emër të opozitës. Skandali mund t’i shkaktojë një krizë serioze kryeministrit Mitsotaqis.

Kryeministri grek është duke përjetuar ditët më të vështira të qëndrimit të deritanishëm në post. Vërtet që krizat nuk kanë munguar pas zgjedhjeve të 2019, por kjo e tanishmja ka të bëjë me një skandal përgjimesh dhe mund të kthehet në krizë serioze për Qiriakos Mitsotaqisin. Afera u zbulua nga gazetarët investigativë grekë.

Që muaj më parë u bë e njohur, se reporteri për çështjet financiare Thanasis Koukaqis ishte përgjuar me telefon.

Në celularin e tij u identifikua prezenca e programit të përgjimit, të quajtur Predator.

Javën e kaluar doli se gazetari vëzhgohej nga shërbimi sekret grek. Dhe jo vetëm tek ai, por edhe tek Nikos Androulaqis, kryetari i socialdemokratëve PASOK, partisë së tretë më të madhe të vendit dhe anëtar i Parlamentit Europian u vu re se ishin bërë përpjekje për t’i instaluar në celular programin Predator. Politikani europian nuk klikoi tek linku me të cilin do të ishte aktivizuar softwari, por informoi shërbimin e sigurimit kibernetik të Parlamentit të BE-së.

Androulaqis kërkoi përgjigje nga qeveria greke. Kështu ai mësoi se telefoni i tij ka qenë përgjuar për disa kohë nga shërbimi sekret, në periudhën kur ai pati kandiduar për kryetar partie. E përditshmja “Kathimerini” shkruante, se sipas shefit të shërbimit sekret grek Panajotis Kontoleon, shërbimet sekrete ukrainase dhe armene kishin kërkuar vëzhgimin. Ambasadorët e të dy vendeve e hodhën poshtë këtë pretendim duke dhënë deklarata me shkrim.

Dorëheqje në Athinë

Ditën e premte (5.08.2022) dhanë dorëheqjen dy persona me emër nga rrethi i ngushtë i Mitsotaqisit: Fillimisht dha dorëheqjen Grigoris Dimitriadis, shefi i zyrës së Mitsotaqisit dhe krahu i djathtë i tij. Njëkohësisht dhe nipi i tij. Pak më vonë dha dorëheqjen edhe vetë shefi i shërbimit sekret, Kontoleon. Të dy theksuan se kryeminstri nuk ishte informuar për vëzhgimet. Por, pas fitores në zgjedhje në vitin 2019, Mitsotaqis, i pati marrë përsipër vetë kompetencat për shërbimin sekret. Megjithatë qeveria nuk pranoi të ketë ndonjë lidhje me vendosjen e predatorëve dhe skandalet e përgjimit.

Ndërkohë Grigoris Dimitriadisi ka hapur padi kundër rrjetit gazetaresk Reporters United, i cili pati informuar për lidhjen midis ish-shefit të zyrës së Mitsotaqisit dhe firmës Intellexa. Kjo firmë izraelite shet në Greqi programin e përgjimit, Predator.

Mitsotaqisi thekson rëndësinë e shërbimit sekret

Të hënën (8.08.2022) në orën 14:00 foli për herë të parë edhe kryeministri: “Ne nuk durojmë hije në demokracinë tonë,” tha ai në fillim të deklaratës së dhënë me video dhe transmetuar nga televizioni shtetëror ERT. “Kjo nuk duhet të kishte ndodhur”, pranoi kryeministri duke folur vetëm për përgjimin e politikanit Androulakis, por jo për përgjimin e gazetarit Koukakis.

Kryeminstri nuk donte të merrte përsipër përgjegjësi personale për skandalet e përgjimit, por përmendi dorëheqjet e shefit të shërbimit sekret dhe “shefit të zyrës së kryeministrit”. Ai me mjeshtëri e shmangu formulimin për shefin e zyrës “sime”: “Unë nuk dija gjë për këtë dhe nuk do ta kisha lejuar një gjë të tillë,” tha kryeministri grek.

Mitsotaqisi vuri theksin tek roli i rëndësishëm i shërbimeve sekrete, i cili duhet kontrolluar më mirë në të ardhmen, në bazë të një plani katër pikësh. Ky institucion ndodhet para “sfidave të mëdha në Egje dhe Evros”, tha ai duke pasur parasysh konfliktet me Turqinë.

Pas përfundimit të deklaratës të kryeministrit, televizioni shtetëror, i kontrolluar nga kryeministri e kaloi transmetimin në një pikë karburanti, ku një klient i kënaqur njoftonte para kamerave se pas shumë muajve çmimi i benzinës ra nën kufirin e dy eurove.

Asnjë fjalë për Predatorin

Gazetarja Eliza Triantafillou ka luajtur rol të rëndësishëm në zbulimin e skandalit, Ajo kritikon kryeministrin që nuk e përmendi në fjalimin e tij kolegun Thanasis Koukakis: “Unë mendoj se ne të gjithë jemi të një mendjeje, se është shumë shqetësuese kur gazetarët kontrollohen dhe përgjohen në një vend demokratik”, tha ajo për Deutsche Wellen.

Edhe fakti që Mitsotaqisi nuk e përmendi programin përgjues Predator, nuk është shenjë e mirë: “Intellexa ka hapur një zyrë në Athinë që në vitin 2020. Do ishte qetësuese si për gazetarët edhe për qytetarët nëse ekziston vullneti politik për të gjetur kush e përdor këtë software të shtrenjtë dhe të fuqishëm kundër objektivave të caktuar në Greqi.”

Überwachungsskandal in Griechenland: Wie transparent ist das Land?

Gazetari Thanasis Koukakis u përgjua

Triantafillou kritikon faktin që deri tani nuk janë zhvilluar hetime me themel, megjithëse ka pasur të dhëna të shumta që tregojnë se Koukakis dhe Androulakis nuk kanë qenë të vetmit persona të prekur nga përgjimet. “Për fat të keq, Zyra kombëtare e transparencës nuk e ka shfrytëzuar kohën e çmuar. Ajo vizitoi zyrat e Intellexa-s në kuadër të një vizite të njoftuar, në prezencë të avokatëve dhe konsulentit për taksat të firmës”. Gazetarja pyet çfarë do të ishte zbuluar nëse zyrat do të ishin kontrolluar pa u njoftuar më parë dhe nëse kontrolli do të ishte bërë me themel.

Kritika nga organizatat e huaja

Prej kohësh organizatat ndërkombëtare vëzhgojnë me shqetësim të madh zhvillimet e lirisë së shtypit në Greqi. Në indeksin e lirisë së shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij Greqia ra 38 pikë dhe kaloi në vendin e 108 në renditjen e 180 vendeve, duke qenë ndër vendet e fundit europiane.

Jamie Wiseman, referent në institutin ndërkombëtar të shtypit, (IPI), kritikon mënyrën si Athina e trajtoi skandalin aktual: “Neve na vjen shumë keq që në deklaratën e tij kryeministri nuk e përmendi përgjimin e Thanasis Koukakisit. Ky është një nga rastet më të rënda të përgjimit të një gazetari në BE vitet e fundit. Ky rast karakterizohet nga mungesa e transparencës dhe shmangia e përgjegjësisë.”

Wiseman kërkon që Brukseli të ushtrojë më shumë presion, sa i përket programit përgjues Predator: “Ka rëndësi të madhe që komisioni hetimor i Parlamentit të BE-së të kërkojë përgjigje të menjëhershme nga qeveria greke, kryeministri grek dhe shërbimi sekret. Përveç kësaj duhen formuluar urgjentisht udhëzimet për një kontroll më të madh brenda BE-së në mbrojtjen ndaj sistemeve kibernetike të përgjimit.

Kurse Parlamenti grek do të merret më 22 gusht me skandalin e përgjimit.

DW

Mediat e Beogradit: 30 mijë mjekë, infermierë e inxhinierë nga Shqipëria e Maqedonia do të vijnë për punë në Serbi në shtator

“Rreth 30,000 tregtarë, mjekë, infermierë dhe teknikë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut pritet të shkojnë për të punuar në Serbi që nga muaji shtator pa pasur nevojë për dokumente shtesë, viza pune apo leje special,”  njoftojnë mediat serbe, Vesti-online dhe Serbian Monitor, duke i bërë publicitet, nismën serbe “Open Balkans”.

Në vijim thuhet: “Kjo është bërë e mundur falë nismës Open Balkans dhe hapjes së tregut të vetëm të punës. Për më tepër, me këtë iniciativë, i gjithë rajoni do të bëhet shumë më tërheqës për investitorët e huaj, sepse sipas ekspertëve do të jetë më e lehtë për të gjetur punonjësit që aktualisht mungojnë.

Drejtori i Zyrës për IT dhe e-Qeverisjen e Serbisë, Mihailo Jovanoviç, komentoi: “Ne mendojmë se do të shohim punonjës të të gjitha shkallëve të arsimit – si ata me diplomë universitare, si dhe ata me diplomë të shkollës së mesme dhe që kanë përfunduar arsimin fillor.. Punonjësit e ndërtimit dhe bujqësisë janë aktualisht me kërkesë të madhe. Ne presim të shohim shumë interes edhe për punët në shëndetësi, për shkak të pagave më të larta.”

Për të punuar në një nga këto tre shtete, qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të duhet të fusin të dhënat e tyre në faqen e internetit të e-Government. Më pas atyre do t’u jepet një numër ID, i siguruar nga nisma Open Balkans. Çdo punëtori, të cilit i jepet numri i ID-së do të jetë në gjendje të aksesojë punët e disponueshme në të tre tregjet e punës. Procedura është e njëjtë për qytetarët e të tre shteteve.” vazhdon shpjegimi në shtypin serb.

syri.net

Greqia do të largohet nga korniza mbikëqyrëse ekonomike e BE-së

RFE/RL

Greqia do të largohet më 20 gusht nga e ashtuquajtura kornizë “e mbikëqyrjes së shtuar” e Bashkimit Evropian, tha Ministria e Financave të mërkurën. Kjo lëvizje do t’i lejojë Athinës që të ketë liri më të madhe në krijimin e politikave ekonomike.

Zhvillimet dhe politikat ekonomike të Greqisë janë monitoruar nga blloku, përmes kësaj kornize, që nga viti 2018, pasi Athina doli nga tri paketat ndërkombëtare të shpëtimit. Këto ndihma ishin në vlerë prej mbi 260 miliardë eurosh që Greqia mori nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në mes viteve 2010 dhe 2015.

“Pas 12 vjetësh… një kapitull i vështirë për shtetin tonë po mbyllet”, tha ministri grek i Financave, Christos Staikouras.

“Greqia i rikthehet normalitetit evropian dhe nuk do të jetë më një përjashtim në Eurozonë”, shtoi ai.

Staikouras tha se Athina ka përmbushur një sërë kriteresh dhe reformash dhe largimi nga korniza evropiane është konfirmuar përmes një letre nga zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së, Valdis Dombrovskis, dhe komisioneri për Ekonomi, Paolo Gentiloni.

Qëkur ka dalë nga pakot e shpëtimit më 2018, Greqia është varur krejtësisht nga tregjet për financimin e nevojave të shtetit.

Korniza mbikëqyrëse kishte për qëllim që Greqia të vazhdonte zbatimin e masave që do të parandalonin vështirësitë ekonomike, por edhe realizimin e reformave strukturore që kanë për synim rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Bazë ushtarake ruse në Serbi? Eksperti ushtarak jep detajet: Detyra e saj do të jetë mbledhja e të dhënave për shërbimet e inteligjencës

Një bazë ushtarake ruse mund të shfaqet në Serbi.

Lajmi është bërë i ditur nga eksperti ushtarak dhe historiani rus Boris Yulin, i cili ka deklaruar se kjo bazë do të kryejë detyra të ndryshme zbulimi dhe do të monitorojë mjedisin.

“Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko, tha se krijimi i bazave ushtarake ruse në Serbi është çështje sovrane e atij vendi. Sa i përket qendrës së përbashkët humanitare, ajo ekziston dhe funksionon për të reaguar ndaj krizave në rast të një fatkeqësie humanitare”, shprehet Harchenko.

Eksperti ushtarak thekson se nuk është shumë e qartë se çfarë përfitimesh do të ketë krijimi i një baze ushtarake në Serbi.

“Fakti është se bazat ndodhen pranë zonave të armiqësive të mundshme. Por në Serbi, territorialisht, do të shkëputet plotësisht nga Rusia dhe do të rrethohet nga të gjitha anët nga vendet e BE-së dhe pjesërisht nga vendet e NATO-s. Nuk është e qartë se si është e mundur të përqendrohen forcat dhe të sigurohet një bazë në këtë rast”, thekson Julin.

I vetmi synim i mundshëm i krijimit të një baze të tillë, sipas tij, është një mision zbulimi dhe survejimi i zonës përreth, më saktë mbledhja e të dhënave të inteligjencës.

Ai shton gjithashtu se Bashkimi Evropian, pas krijimit të një baze të tillë, mund të fillojë ta perceptojë Serbinë si një burim të mundshëm kërcënimi në rast të një konflikti, gjë që do të kishte pasoja jo shumë të këndshme për Beogradin.

Më herët, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka bërë të ditur se Serbia është shtet i pavarur dhe nuk dëshiron të ndërhyjë në konfliktet mes Rusisë dhe Perëndimit. BW

Tensione në Mesdhe, anija turke nis nesër kërkimet, përgjigjet Greqia

Greqia po mobilizon aleancat e forta që ka ndërtuar në rajon me Egjiptin dhe Izraelin, angazhimet e ndihmave të marra, bazuar në marrëveshjet dypalëshe të mbrojtjes, nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, si dhe fuqinë diplomatike dhe ushtarake, duke iu përgjigjur lëvizjes të Turqisë për të shpuar në jug të Mesdheut.

Duke nxitur vazhdimisht tensionin në rajon, pala turke pothuajse ka përfunduar përgatitjet përkatëse dhe testet përkatëse të platformës së shpimit “Abdulhamid Han”, e cila tashmë është gati të lundrojë nga porti i Tasutzu, Mersin, nesër, e martë, 9 gusht , në një destinacion të panjohur, pasi kursi i tij do të shpallet nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Ndër synimet e Ankarasë është duke shoqëruar largimin e platformës së shpimit në një festë të stilit faraonik me pjesëmarrjen e disa anëtarëve të qeverisë turke si dhe të vetë zotit Erdogan, për t’i dërguar një mesazh të dyfishtë nga njëra anë audiencës së brendshme, nga ana tjetër palës greke qipriote dhe komunitetit ndërkombëtar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pretendimet e saj brenda Zonës Ekonomike Ekskluzive Greke dhe Qipriote.

Pas përfundimit të testeve përkatëse të sistemeve të tij, gjatë daljes nga e shtuna deri të martën e kaluar jashtë Mersinës, “Abdulhamid Han” tani pret përfundimin e flotës së saj të anijeve shoqëruese për të qenë gati për të nisur udhëtimin e tij të parë zyrtar për në Jug të Mesdheut.dita


Send this to a friend