VOAL – LAGJIA E TRIMAVE, KUMANOVË – Edhe një javë pas aksionit policor në Lagjen e Trimave në Kumanovë që përfundoi me një epilog tragjik, 22 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur dhe të arrestuar, mbeten shumë enigma se çfarë në të vërtetë ka ndodhur në këtë qytet.
Pjesëtarët e grupit të armatosur që prezantohej si Ushtria Çlirimtare Kombëtare, përmes komunikatave të ndryshme që lënë dyshime mbi paraqitjen e tyre në kohën kur Maqedonia ndodhet në krizë të thellë politike, deklaronin se riorganizimi i tyre vjen “si pasojë e pozitës së pavolitshme të shqiptarëve dhe represioneve të vazhdueshme nga regjimi aktual”.
Por, teori tjera nuk përjashtojnë mundësinë që grupi, apo disa nga pjesëtarët e tij të ishin vënë në shërbim të qendrave të caktuara, në veçanti të pushtetit për të shpërqendruar vëmendjen nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve të opozitës, e cila përmes publikimit të bisedave të shumta telefonike të zyrtarëve, pretendon se ka nxjerr në sipërfaqe “veprimtarinë kriminale të pushtetit aktual”, që drejtohet nga kryeministri Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO DPMNE-së.
Dilema mbi gjithë atë që ka ndodhur në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj, shfaqi edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në prononcimin e parë dhe të vetmin pas përleshjeve në Lagjen e Trimave.
Ahmeti, partia e të cilët është pjesë e Qeverisë, tha se struktura të caktuara dëshirojnë destabilizimin e vendit, ndërsa u shpreh se nuk mund të besojë se ish-shokët e tij të luftës të jenë futur në skenarë të kryeministrit, Nikolla Gruevski, siç flitet në opinion.
“Çfarë interesi kishte ky grup që të vihet në funksion politik të Nikolla Gruevskit? Unë s’mund ta besoj këtë. Tani lindin shumë pikëpyetje! A ka shtete në rajon që kanë pasur kontakte me këta njerëz? Cilat janë ato shtete që duan destabilizimin e Maqedonisë?”.
“Së paku zyrtarisht asnjë shtet nuk është prononcuar se dëshiron destabilizimin e Maqedonisë. Të gjithë duan rajon stabil, por në rajon nuk mund të kontrollohen të gjitha grupet që kanë interesa të ndryshme nëpër vende të ndryshme. Kjo që ka ndodhur ka nevojë për një hetim shumë të fortë, përfshirë edhe angazhimin e hetuesisë ndërkombëtare që të shohim se në shërbim të kujt ishin ata dhe çfarë dëshironin të realizonin”, deklaroi për Alsat, Ali Ahmeti.
Ai njoftoi opinionin se si me bashkëpunëtorët e tij, kishin menaxhuar situatën pas vënien së kontaktit me grupin, i cili, sipas kreut të BDI-së, kishte ofruar të vetëdorëzohet pas rrethimit të hekurt nga forcat policore.
Ahmeti tha se nga përfaqësues të partisë së tij para dy javësh kishin kontaktuar me disa nga anëtarët e grupit pas spekulimeve për veprimtarinë e tyre, por një nga anëtarët e tij kishte mohuar një gjë të tillë.
Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në takimin e Këshillit të sigurisë kombëtare, deklaroi se gati para një viti institucionet kishin marrë informacione se një grup i armatosur po synonte destabilizimin e Maqedonisë dhe se nga fillimi i këtij viti, për këtë ishin njoftuar edhe 17 shërbime ndërkombëtare të sigurisë të vendeve anëtare të BE-së dhe të rajonit.
“Mund të konstatoj se shkëmbimi i informacioneve me qëllim të parandalimit të qëllimeve të këtij grupi, nuk dha rezultat. Për dy ditë në Kumanovë ka ndodhur ajo që para disa muajve e paralajmërova edhe në fjalimin tim para Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Autorët dhe të gjithë të përfshirët në këtë akt terrorist do të paguajnë shtrenjtë për atë që tentuan t’i bëjnë shtetit dhe qytetarëve tanë “, tha Ivanov.
Ndërsa, kryeministri Nikolla Gruevski deklaroi se forcat e rendit kishin arritur të eliminojnë një nga “grupet terroriste më të rrezikshme në Ballkan që kishte për qëllim sulme terroriste ndaj institucioneve shtetërore dhe objekteve tjera publike”.
Kjo deklaratë e presidentit Ivanov ka hapur dilema nëse shërbimet e huaja ndërkombëtare u besojnë informacioneve të palws së Maqedonisë, por edhe sinqeritetit në bashkëpunimin mes tyre.
“Me siguri se ata, pasi kanë analizuar informacionet e tyre, me ato që kanë marr nga Maqedonia, kanë konstatuar se nuk ka nevojë që të bëhet diçka më tepër lidhur me vazhdimin e informimit të ndërsjellë. Mosreagimi i atyre, absolutisht, nxjerr konstatimin tjetër se shërbimet e huaja nuk i marrin parasysh vlerësimet tona, apo se kanë vlerësime të kundërta nga ato që institucionet tona prezantojnë”, thotë Bllagoje Markovski nga Forumi Ballkanik për Siguri.
Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri, nuk e përjashton mundësinë që ngjarjet në Kumanovë të kenë lidhshmëri me krizën politike që ka kulmuar me atë që njihet si aferë e përgjimeve me biseda të publikuara të zyrtarëve, që sipas opozitës, dëshmojnë përfshirjen e tyre në krime të rënda.
Neziri dyshon se e gjithë kjo mund të jetë inskenuar për të shpërqendruar vëmendjen nga kjo aferë e madhe, por edhe si luftë ndërmjet dy koncepteve, atij pro-vlerave perëndimore dhe tjetrit për ruajtjen e gjendjes së tanishme të vazhdimit të izolimit të vendit.
“Në momentin kur në Maqedoni pritet të bëhet një kthesë tepër e madhe, në momentin kur një koncept pro-evropian dhe pro NATO-s, po fillon të fuqizohet në Maqedoni, kur kishte një përafrim në këtë qëllim dhe një relaksim të raporteve ndëretnike, ndodhi ajo që shihet si tentim për të penguar dhe rrënuar tërë këtë koncept. Ky koncept nënkupton hapje të një perspektive krejt të re në Maqedoni për integrimin e saj në strukturat euroatlantike”.
“Pra, në Maqedoni kemi dy vija të ndryshme që po garojnë ndërmejt vete, ajo e progresit dhe e integrimit të vendit drejt strukturave euroatlantike dhe vija tjetër, e cila tenton ta mbajë vendin në gjendjen e tanishme, të izoluar dhe të bllokuar nga integrimi euroatlantik”, thotë Neziri.
Por, derisa vazhdojnë dilemat dhe hipotezat se çfarë ndodhi një javë më parë në Kumanovë, banorët e Lagjes së Trimave thonë se kurrë nuk do të mund t’i harrojnë traumat dhe tmerrin e asaj që përjetuan gjatë dy ditëve sa zgjatën përleshjet e armatosura që dogjën e rrafshuan për tokë shtëpitë e tyre.
“Nuk po mund ta përshkruaj atë që ka ndodhur… Fëmijët ende i kam me trauma, gjithë natën zgjohen qajnë, bartësin, thonë oj nënë a vijnë prapë; vetëm pak me kërcit nëpër shtëpi ata bërtasin dhe qajnë”, tregon Sanije Shabani.
“Kjo njollë kurrë nuk do të hiqet, gjithmonë do ta mbajmë derisa të futemi nën dhe, kjo nuk harrohet”, thotë Xhevrije Shabani.
“Çka të tregoj, nuk kam si ta përshkruaj këtë gjendje. Për fëmijën tim 8 -vjeçar nuk e kam ditur nëse do ta vrasin ose jo! Vetëm shpirti ynë e di se çfarë kemi kaluar, vëllezërit invalidë, nëna njëjtë, e të na e bëjnë këtë, çudi e madhe është”, thotë Skënder Ajdini, një tjetër banor i Lagjes së Trimave në Kumanovë.
Gjatë luftimeve të ashpra të një jave më parë, janë vrarë 22 persona, prej tyre 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 14 të grupit të armatosur, ndërsa 30 të tjerë janë dorëzuar.
Prej tyre 18 janë shtetas të Kosovës, 11 të Maqedonisë, 2 prej të cilëve me banim në Kosovë dhe 1 shtetas i Shqipërisë.
Gjatë luftimeve, sipas një komisioni qeveritar për vlerësimin e dëmeve, janë dëmtuar rëndë 66 shtëpi, familjet e të cilave aktualisht janë strehuar te të afërmit e tyre. rel