VOAL

VOAL

Uran Tuda: Mediat proqeveritare kanë monopolin, moszbardhja e Kumanovës e vë në pikëpyetje bashkëjetesën në Maqedoni

Mediat në Maqedoni po ndeshen më vështirësi dhe sfida të mëdha, thotë analisti Uran Tuda. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Tuda, i cili është pronar i stacionit televiziv TV Art Kanal, thekson se ligji i vitit 2013 për mediat në Maqedoni ka krijuar kushtet për monopol. Zoti Tuda gjithashtu thotë se autoritetet duhet të bëjnë më shumë për të zbardhur rrethanat e incidentit të dhunshëm të këtij viti në Kumanovë.

Në raportin e saj të fundit mbi lirinë e medias në botë, organizata Freedom House e klasifikon shtypin në Maqedoni si pjesërisht të lirë. Në raport thuhet se zbatimi i rregullave për mediat është i dobët dhe procesi i linçensimit është objekt i ndikimeve politike dhe ekonomike. Një nga arsyet e rënies së nivelit të lirisë së medias në Maqedoni janë edhe frikësimet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Maqedonia ka një numër të madh  gazetash dhe stacione televizive private por mediat pro-qeveritare, përfshrië televizionin shtetëror të Maqedonisë, vazhdojnë të kenë një rol dominues në treg.  Analisti dhe pronari i stacionit televiziv TV Art Kanal, Uran Tuda, thotë se mediat e vogla të pavarura ndeshen me vështirësi dhe sfida të shumta:

“Ka sfida të shumta, ne jemi një nga stacionet më të vjetra private në Maqedoni që nga viti 1993. Një ndër vështirësitë më të mëdha ishin ato të vitit 2013, kur ndodhi dixhitalizimi dhe u krijuan monopole në këtë fushë. Është vetëm një operator që transmeton dhe unë mendoj se ndodhi një degradim sa i përket aspektit të informimit publik. Kjo ka krijuar edhe vështirësi financare për mediat private”.

Zoti Tuda është dakord me vlerësimin e organizatës Freedom House se media në Maqedoni ka shënuar rënie në vitet e fundit. Ai thotë se ligji për median i miratuar nga parlamenti maqedonas në vitin 2013 ka vështirësuar funksionimin e organizatave më të vogla të medias:

“Mund të them se me këtë ligj nuk u bë ndonjë përparim i mediave por përkundrazi ndodhi një degradim. Mediat në Maqedoni po vendnumrojnë në krahasim me vendet në Ballkan që na rrethojnë. Tregu mediatik është ndarë, partitë në pushtet kanë krijuar disa mekanizma të kontrollit. Në rast se kjo nuk ndryshon, Maqedonia nuk ka të ardhme mediatike dhe një të ardhme më të ndritur për qytetarët e vet”.

Megjithëse kanë kaluar gjashtë muaj nga ngjarjet e dhunshme në Kumanovë ku u vranë 24 njerëz dhe u dogjën mbi 100 shtëpi, ende nuk janë zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit të armatosur atje. Për shumë analistë kjo mund të ketë qënë një ngjarje e organizuar nga qeveria për të tërhequr vëmendjen nga kriza politike në vend. Zoti Tuda thotë se mungesa e transparencës mbi këtë ngjarje dhe moszbardhja e plotë e rrethanave të incidentit të dhunshëm në Kumanovë, kanë patur një ndikim negativ. Ai thotë se vrasjet dhe shkatërrimi i pronës në Kumanovë kanë dëmtuar bashkëjetesën mes komuniteteve:

“Një ndër efektet negative mund të jetë largimi i bashkëjetesës. Ka një mungesë të transparencës mbi ngjarjet në Kumanove që pritet të zbardhen. Akoma ka një vakuum i cili duhet të zbardhet dhe ka të bëjë me shumë çështje të tjera në Maqedoni”.

Zoti Tuda thotë se duhet të ketë një transparencë më të madhe mbi proceset politike në Maqedoni për të krijuar kushtet për një të ardhme më të mirë për qytetarët e vendit.

Shkup, përgatitjet e fundit që të vihet në punë treni i parë elektrik

Rinovimi i sistemit hekurudhor nis me trenin e ri elektrik, i pari i këtij lloji në Maqedoni, ndërkohë që priten edhe katër trena tjerë të cilët punojnë me naftë

SHKUP – Disa kohë më parë Maqedonia u furnizua me trenin e parë elektrik i cili së shpejti pritet të vihet në funksion, ku qytetarët  mund të presin udhëtim më cilësor dhe më komod.

Deri atëherë treni do të qëndrojë i parkuar në Shkup, ndërkohë ndërmarrja publike, Hekurudhat e Maqedonisë,-Transport, po bënë rregullimin e brendshëm të stacionit kryesor hekurudhor dhe infrastrukturës tjetër përcjellëse që të finalizohet me vënien në funksion të trenit të ri kinez.

Drejtori i përgjithshëm i kësaj ndërmarrjeje, Nikola Kostov, duke folur për Anadolu Agency tha se treni i ri është në fazë të testimit para se të vihet në përdorim dhe sqaroi së përgatitjet po rrjedhin mirë. Udhëtarët do të jenë të kënaqur, tha ai.

“Treni i parë kinez ka arritur dhe për momentin në qendrën e trajnimit po bëhen përgatitjet nga ana e partnerëve tanë kinez. Besoj se në 15 ditët në vijim do të mund të bëjmë promovimin që pastaj treni të mund të shfrytëzohet nga udhëtarët” tha Kostov.

“Çmimi është i njëjtë. Dëshirojmë të tërheqim qytetarët e Republikës së Maqedonisë të shfrytëzojnë trenin“ tha më tej drejtori Kostov, për të sqaruar se ky është treni i parë elektrik, dhe se në gjashtë muajt e ardhshëm pritet ardhja e katër trenave të tjerë të cilët punojnë me naftë.

Zëdhënësi i ndërmarrjes publike “Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastrukturë”, Nevzat Mamuti, qetëson skeptikët të cilët thonë se infrastruktura e vjetërsuar nuk do të mund të përballojë trenat me shpejtësi të madhe. Për AA tha se shinat të cilat i ka rrjeti hekurudhor  mund të përballojnë shpejtësinë të cilën e adaptojnë këto trena.

“Hekurudhat e Maqedonisë, infrastruktura, mund të përballojnë shpejtësinë deri në 120 kiloemtra në orë që do të thotë se trenat e rinj do të adaptojnë shpejtësinë sipas infrastrukturës momentale, që  shpejtësia maksimale të jetë 120 kilometra në orë” tha ai.

Treni i ri modern ka kapacitet për 300 udhëtarë dhe do të qarkullojë në relacionin Tabanocë-Gjevgjeli, konkretisht prej kufirit jugor te ai verior i Maqedonisë.

Ndërkohë, sistemi hekurudhor në Maqedoni është i vjetër 143 vite, i ndërtuar gjatë Perandorisë Osmane me ndërtimin e linjës hekurudhore Selanik-Mitrovicë, ndërsa treni i parë që ka arritur në Shkup ka qenë ai nga Selaniku më 9 gusht 1893. aa

Policia kërkon dhunuesit në Kriva Pallankë, reagon Bashkësia Islame e Maqedonisë

Myftiu i Kumanovës, Abedin Imeri, me disa bashkëpunëtorë të tij sot ka vizituar besimtarët myslimanë në Kriva Pallankë

SHKUP – Sektori i Punëve të Brendshme në Kumanovë doli me një reagim lidhur me zhvillimet e fundit në Kriva Pallankë në të cilin thuhet se janë marrë të gjitha masat për kapjen e autorëve të cilët mbrëmë demoluan një shtëpi private e cila shfrytëzohej si faltore nga besimtarët myslimanë.

“Në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike po ndërmarrin masa intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe kapjes së autorëve të cilët mbrëmë demoluan shtëpinë private (e cila shfrytëzohej si faltore e besimtarëve myslimanë) në këtë qytet ku dje mbi një mijë qytetarë mbajtën protestë kundër ndërtimit të një xhamie”, thuhet sot në njoftimin e policisë së Kumanovës.

“Të njëjtën ditë rreth orës 18:30 në momentin kur objekti ka qenë i zbrazët, autorë të panjohur kanë dëmtuar të njëjtin. Ekipi hetimor nga stacioni policor doli në vendngjarje dhe me autorizim të Prokurorit publik zhvilloi hetime dhe konstatoi dëmtimin e tetë xhamave dhe inventarit të shtëpisë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e policisë.

Ndërkohë myftiu i Kumanovës, Abedin Imeri me disa bashkëpunëtorë të tij sot vizitoi besimtarët muslimanë në Kriva Pallankë. Në një deklaratë për Anadolu Agency ai tha se faltorja myslimane është e liçencuar nga Bashkësia Islame e Maqedonisë (BFI), ndërsa tha se komuniteti musliman atje ndjehet i shqetësuar dhe i frikësuar për sigurinë e vet.

Myftiu Imeri akuzoi kryetarin e Kriva Pallankës si nxitës të kësaj dhune.

“Ai dha një deklaratë nxitëse ditë më parë e cila shtyri njerëzit të ushtrojnë dhunë. Ai tha se gjatë kohës sa do të jetë kryetar i Kriva Pallankës nuk mund të ndërtohet xhami atje”, deklaroi myftiu i Kumanovës, Abedin Imeri.

Përndryshe, Kriva Pallanka është një qytezë me rreth 15 mijë banorë, ku shumica absolute i përket besimit ortodoks. Në këtë qytezë jetojnë rreth 600 pjesëtarë të komunitetit romë. aa

Gruevski kërcënon shqiptarët – do ta pësoni si në Kumanovë

Kryeministri Nikolla Gruevski ka paralajmëruar se kushdo që përpiqet ta destabilizojë Maqedoninë do të përballet me kundërpërgjigje si ai në Kumanovë.

I pyetur nëse vendi rrezikohet nga incidente të armatosura si ai i 9 majit, kreu i qeverisë së Shkupit tha se nëse përsëritet ndonjë incident i armatosur si ai në “Lagjen e Trimave”, qeveria do të angazhojë gjithë potencialin policor për t’i asgjësuar grupet e armatosura.

“Ngjarjet e Kumanovës qeveria i zgjidhi me sukses dhe efikasitet të madh. Në qoftë se në të ardhmen do të ketë situata të tilla, qeveria do t’i zgjidhë shpejt dhe në mënyrë efikase”, deklaroi Gruevski.

Gjatë përballjes së policisë maqedonase me “grupin e armatosur” në Kumanovë u vranë tetë forca të njësisë speciale dhe dhjetë pjesëtarë të grupit nga Kosova.

SHBA përshëndesin arritjen e marrëveshjes në Maqedoni (video)

Voal -Drejtuesit e katër partive më të mëdha në Maqedoni vendosën t’i hapin rrugën reformave që dalin nga marrëveshja e 2 qershorit, duke rënë dakord mbi emrat e propozuar nga opozita maqedonase, të cilët do të jenë në krye të dy ministrive në qeverinë e pritshme teknike. Bisedimet e gjata dhe të vështira, të ndërmjetësuara nga eksperti belg Peter Van Hautte, cuan në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis pushtetit dhe opozitës maqedonase që kishin të bënin me anëtarët e kësaj të fundit në qeverinë e përkohshme, por dhe me projekt-ligjin mbi ato që në opinionin publik njihen si ‘bomba’, e që janë përgjimet e bisedave telefonike, si dhe atë për mbrojtjen e kallëzuesve ose denoncuesve për raste të paligjshme që do të hetohen nga prokuroria speciale.Marrëveshja, përkatisisht vendimet e saj politike në formë projekt-ligjesh, pritet të diskutohen në Parlament, sipas të gjitha gjasave të hënën që vjen, dhe të miratohen.

Për ministër të ri të Punëve të Brendshme është propozuar Oliver Spasovski, aktualisht Sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), ndërsa nënkryetarja e kësaj partie opozitare, Frosina Remenski për ministre të Punës dhe çështjeve sociale. LSDM do të ketë edhe tre zëvendës-ministra: për Financa, Administratë publike dhe Bujqësi.

Drejtuesit politikë që morën pjesë në bisedimet që zgjatën nga mbrëmja e së enjtes deri pas mesnate, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti u shprehën të kënaqur me atë që kishin arritur. Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër, tha se “opozita me kuadrot e saj të lartë, do të duhet të marrë përgjegjësinë për institucionet të cilat do t’i drejtojë dhe të mos fshihet, siç tha, pas atyre që i quan ekspertë e që janë anëtarë anonimë të LSDM-së”. Z. Gruevski theksoi rëndësinë e datës së zgjedhjeve, 24 prill, që nuk do të zhvendoset edhe përkundër përpjekjeve, sipas tij, të opozitës për shtyrjen e saj.

Ndërkaq, Zoran Zaev i LSDM-së e quajti këtë një fitore për të ardhmen e Maqedonisë. Ai tha se pret që “Gruevski në bazë të Marrëveshjes së Përzhinës (marëveshja e 2 qershorit dhe aneksi i 15 korrikut) të japë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, brenda një afati të përshtatshëm”.

Drejtuesi i partisë shqiptare Bashkimi Demokrarik për Integrim, Ali Ahmeti tha se me dhënien fund ngërçit politik, Maqedoni po u kthehet integrimeve euro-atlantike. BDI-ja, përmes një komunikate që ka lëshuar mëngjesin e së premtes, nënvizon se  “pozitat e shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv mbetën të paprekura, ndërsa do të ketë ndryshime, kontroll dhe ndarje të ndërsjellë të pushtetit vetëm midis VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së, për arsye të përplasjeve dhe mosbesimit në mes të dy partive maqedonase që edhe sollën deri te kriza e thellë politike në vend.”

Në takim, ndërkohë, nuk ishte  pranishëm kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, por drejtuesi i grupit parlamentar të partisë, Imer Aliu, i cili tha se “PDSH-ja as nuk është dhe as nuk do të bëhet pjesë e një qeverie të tillë”.

Sipas marrëveshjes më të re, ministrat dhe zëvendës-ministrat e dy partive rivale maqedonase do të kenë të drejtën e vetos dhe në rast të mosmarrëveshjeve mbi çështje që do të kenë të bëjnë me zgjedhjet e pritshme, do të jetë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve që do të marrë vendimin e fundit.

Presidenti i vendit Gjorgje Ivanov e ka përshëndetur marrëveshjen, duke theksuar në një komunikatë, se rezultati i takimit paraqet një dëshmi se dialogu është mënyra e vetme me anë të të cilit mund të shmangen të gjitha sfidat dhe çështjet e hapura.

Ai ka bërë thirrje për respektimin e institucioneve të vendit.

Komisioni Evropian ka inkurajuar partitë që të bëjnë gjithshka që është e nevojshme për të zbatuar detyrimet që dalin nga Marrëveshja. Zëdhënsja e Komisionit, Maja Kocijançiç ka thënë se kjo është shumë e rëndësishme, në prag të shpalljes së raportit të progresit për Maqedoninë.

Edhe Ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes, duke theksuar se me këtë është bërë një përparim i rëndësishëm. Ambasadori Bejli në rrjetin Tuiter ka shkruar se edhe më e rëndësishme është zbatimi i marrëveshjes. Ambasadori amerikan vlerëson se marrëveshja e së premtes i kontribuon mirëqenies së vendit. Ai ka nënvizuar në veçanti nevojën e zbatimit të Kodit Zgjedhor, ndërsa ka lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë janë të përgatitur që të ndihmojnë procesin dhe vendin./voa

Maqedonia, vendi i parë në Europë për vdekshmërinë foshnjore

Maqedonia ka nivelin më të lartë të vdekshmërisë foshnjore në Europë, sipas Platformës për barazi gjinore dhe HERA.

Qytetet që janë të parët në listë janë Dojrani, Berova, Gjevgjelia dhe Krusheva.

Të dhënat e fundit të Entit shtetëror për statistikë tregojnë se shkalla e vdekshmërisë të të porsalindurve menjëherë pas lindjes është 14.3 për qind, që është niveli më i lartë në Evropë dhe trefishtë i mesatares evropiane prej 5.2, raporton TetovaSot.

Nga Platforma për barazi gjinore thonë se për shkak të financave të ulëta në shumë komuna mungojnë gjinekologë, dhe pikërisht në këto komuna numri i vdekshmërisë së foshnjave është më i madh. Nga atje theksojnë se është e nevojshme për të rritur buxhetin për të përmirësuar shërbimet në institucionet shëndetësore gjinekologjike, si dhe fonde shtesë për komunat e vogla.

Rasti i Kumanovës – akuzë për terrorizëm ndaj 29 të arrestuarve

Prokuroria Publike e Maqedonisë ka ngritur akuzë për terrorizëm kundër 29 personave të cilët tash disa muaj ndodhen në paraburgim, lidhur me luftimet në Lagjen e Trimave në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj.

“Në bazë të dëshmive të deritanishme nga hetimet e kryera lidhur me ngjarjet në Kumanovë, prokurori publik kompetent ka paraqitur padi kundër 29 personave pranë prokurorisë publik të Shkupit”.

“Të akuzuarit akuzohet për vepra penale “organizata terroriste” në bazë të nenit 394-a dhe “terrorizëm” në bazë të nenit 396-b të ligjit penal”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokurori i angazhuar për këtë rast gjithashtu ka vendosur vazhdimin e masës së paraburgimit për personat e arrestuar.

Në luftimet në Lagjen e Trimave në Kumanovë mes forcave speciale policore dhe një grupi të armatosur i prezantuar si “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, janë vrarë 18 persona, prej tyre 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit, ndërsa 29 të tjerë janë arrestuar, shumica e të cilëve janë shtetas të Kosovës.

Rinia braktis masivisht ‘Maqedoninë’

Eksperët: Maqedonia kërcënohet nga një emigrim serioz

Organizatat joqeveritare të cilat në fokus kanë perspektivën e të rinjve, thonë se në mungesë të të dhënave konkrete nga ana e institucioneve të vendit sa i përket numrit të të rinjve që braktisin Maqedoninë, jo vetëm se nuk mund të hartohet një strategji e mirëfilltë për ndërtimin e perspektivave për të rinjtë në vend, por Maqedonia kërcënohet nga një emigrim serioz.

Drejtoresha e Forumit Arsimor Rinor në Maqedoni, Dona Kosturanova, thotë se problemi bazë është mungesa e të dhënave të sakta sa i përket numrit të të rinjve që janë larguar nga Maqedonia.

“Po ajo që nevojitet për momentin, për të parandaluar dukurinë e braktisjes së vendit nga ana e të rinjve është një analizë e mirëfilltë në nivel kombëtar, por për t’u bërë kjo analizë nevojiten numrat e saktë kush dhe sa janë larguar nga Maqedonia, sepse ne, tërë kohën flasim në bazë të spekulimeve”.

“Ende askush nga institucionet kompetente të shtetit nuk ka dalë me të dhëna të sakta sa të rinj janë larguar nga Maqedonia, cili është profili i tyre sa i përket përgatitjes profesionale apo moshës, sa prej tyre janë kthyer …. nëse ka të tillë”.

“Përderisa mungojnë të dhënat e këtilla është e pamundur të shpresohet në hartimin e një strategjie në nivel shtetëror ku do të analizoheshin motivet edhe njëherësh do të ofrohej zgjidhje për këtë problem”, ka theksuar Kosturanova.

Ndërkaq, Arben Hajrullahu nga Unioni Studentor Shqiptar, thekson se ka më shumë faktorë pse të rinjtë nuk e shohin perspektivën e tyre në Maqedoni.

“Politika ditore, e cila është e pranishme në Universitetet e Maqedonisë ka një impakt shumë negativ, sepse të gjithë ata të cilët nuk dëshirojnë të jenë pjesë e politikës lihen anash, përkatësisht nuk vlerësohen në bazë të suksesit që dëshmon gjatë studimeve si studentë të dalluar”.

Nga ana tjetër, sociologu maqedonas Ilia Acevski, thotë se problemi i migrimit të të rinjve nga Maqedonia është i komplikuar dhe duhet analizuar në më shumë aspekte, që nga problemet ekonomike, mungesa e jetës kualitative në aspektin arsimor, kulturor dhe sportiv, por më e rëndësishmja sipas tij është mungesa e perspektivës.

“Në aspektin socio-ekonomik si rrjedhojë e më shumë rrethanave të rinjtë në Maqedoni gjithnjë e më shumë krijojnë bindje se qëndrimi në Maqedoni për ta është baras me mungesë të çfarëdo lloj perspektive. Ka më shumë arsye se pse ata krijojnë bindje të këtillë, duke filluar nga politizimi i skajshëmi i shoqërisë, devalvimi i vlerave”.

Institucionet përkatëse në Maqedoni nuk kanë ofruar të dhëna konkrete se cili është numri i saktë i të rinjve që largohen nga Maqedonia brenda vitit.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore për Zhvillim Ekonomik, vetëm gjatë vitit 2013 nga Maqedonia janë larguar rreth 20 mijë banorë.

Në këtë drejtim, hulumtimi i organizatave joqeveritare të cilat në fokus kanë të rinjtë, ka nxjerrë në pah se çdo i dyti i ri në Maqedoni dëshiron të largohet nga vendi.

Vendoset përfundimisht fati i Radikës: Strasburgu urdhëron Maqedoninë të mos e devijojë

Merr fund odisea e devijimit të lumit Radika për të furnizuar me ujë një hidrocentral të planifikuar për t’u ndërtuar nga qeveria Maqedonase në zonën e Mavrovës.

Pas debateve të shumta nga shqiptarët e Dibrës së Madhe, protestave në Shqipëri, por edhe të ekologjistëve në Maqedoni, Komitetit i Përhershëm i Konventës së Bernës, pranë Këshillit të Europës në Strasburg, pas inspektimit të projektit në terren, kanë urdhëruar qeverinë maqedonase, të ndërpresë menjëherë implementimin e projektit për ndërtimin e hidrocentralit.

Top Channel ka siguruar një kopje të draft-rekomandimit të hartuar nga ekspertët e Këshillit të Europës, i cili do të paraqitet për miratim në seancën që pritet të mbahet në datat 1 deri 4 dhjetor.

“Duke marrë parasysh të gjitha specifikat e Parkut Kombëtar të Mavrovës, i cili është një nga zonat me biodiversitet të larmishëm dhe habitat natyral i një numri të madh species të mbrojtura; duke marrë parasysh faktin se ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë është në një proces afrimi me BE-në dhe direktivat e Bashkimit Europian janë shumë të rëndësishme ndikimeve që këto projekte mund të kenë në rrjedhën natyrale të lumenjve; duke marrë parasysh faktin se Parku Kombëtar i Mavrovës dhe territoret përreth janë zona kryesore të riprodhimit të “rrëqebullit Ballkanik”, një specie në rrezik zhdukje, ne i rekomandojmë ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë: përdorimin e metodave parandaluese dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të projektit për ndërtimin e hidrocentralit në territorin e Parkut Kombëtar të Mavrovës”.

Me këtë argumentim, Këshilli i Europës fton Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Botërore që të përdorin mënyra më të kujdesshme dhe të marrin parasysh, pezullimin e financimeve të projekteve të hidrocentraleve në Maqedoni, në përputhje me rekomandimet e bëra.

Devijim i Radikës u kthye në një çështje të nxehtë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë në fundin e vitit 2013 dhe fillimin e vitit 2014, atëherë kur u bë publik dhe projekti i Shkupit zyrtar për ndërtimin e një hidrocentrali, i cili do të përdorte ujin e lumit, i cili do të devijohej në Vardar për të përfunduar më pas në zonën e Mavrovës ku dhe ishte planifikuar ndërtimi i hidrocentralit.

Tetova është qyteti më i ndotur në botë!

Disa herë më e ndotur se Pekini, Sao Paulo dhe shumë metropole të tjera të botë

Tetova është qyteti më i ndotur në botë. Të paktën kështu bën të ditur faqja e internetit Numbeo, e cila e rendit qytetin e banuar mbi 70% nga shqiptarët, të parin në listë. Ka një indeks prej 101.35 mikrogramë të grimcave PM10 në ajër.

Kjo është disa herë më shumë se në Pekin, Sao Paulo dhe shumë metropole të tjera të botës.

Në këtë faqe webi çdo ditë publikohet një listë e matjeve të vazhdueshme të ndotjes së ajrit në botë.

Shkupi sot në atë listë të zezë ishte i 37-i, i pasuar nga Tirana me ndotje prej 79.34 mikrogramë të grimcave PM10.

Tronditëse: në Gjinekologjinë e Shkupit vdes gruaja shqiptare me foshnje

Klinika e Gjinekologjisë dhe Akusherisë në Spitalin Shtetëror të Shkupit është tronditur nga vdekja e hershme e gruas shqiptare 38 vjecare nga fshati Rashce e Shkupit.

Gruaja së bashku me foshnjën 5 muajshe ka ndërruar jetë një ditë më parë në rrethana të paqarta.

Ajo dje u varros në fshatin Rashce dhe pas saj la dy vajza të vogla.

Vdekja e hershme e gruas shqiptare dhe vdekja e një gruaje shtatzënë në Gjevgjeli për shkak se dy mjek kanë qenë të alkoolizuar ka ngritur reagime dhe tensione të mëdha në opinionin publik në Maqedoni.

Ekspertët janë të mendimit se mjekët fajtor duhet të marin dënimin e merituar dhe t’ju meret përgjimon licenca e punës për shkak të papërgjegjësisë dhe pakujdesisë ndaj pacientëve.

Nga ana tjetër ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov don që të ulë reagimet duke formuar komisione për të hetuar rastet tragjike ku humbën jetën dy gra shtatzëna dhe foshnjat e tyre në mitër.
Mirëpo, Klinika e Gjinekologjisë dhe Akusherisë në Spitalin Shtetëror të Shkupit në të cilën ndërroi jetë një paciente e moshës 38 vjeçe, shtatzënë në muajin e gjashtë informoi dje se pacientja ka ndërruar jetë nga një infeksion i rëndë.

Nga Klinika informuan se gruaja ka pasur një shtatzëni të rrezikshme, ndërsa është pranuar me një fryt të vdekur dhe shenja të rrënda të infeksionit.

Nga Klinika informuan se me pacienten është vepruar sipas të gjitha protokolleve në raste të këtilla me përpjekje maksimale të ekipit kujdestar të gjinekologëve dhe anesteziologëve.

Zhurnal: Aksion i madh policor në Lagjen e Trimave

Sot në orët e hershme të mëngjesit Zhurnal mëson se njësiti për ndërhyrje të shpejtë ka bërë bastisje në shtëpin e Riza Jonuzit i cili përflitej se ka pasur dijeni për grupin kosovar i cili më 9 maj u përlesh me forcat maqedonase të sigurisë ku 10 kosovarë mbetën të vekur dhe 8 pjestarë të policisë maqedonase.

Bastisja e sotme ka shkaktuar tensione të fuqishme tek banorët shqiptarë në Lagjen e Trimave për shkak se ende janë shumë të freskëta kujtimet dhe pasojat nga incidenti i armatosur.

Në opinionin e Maqedonisë përflitet se këtë incident e inskenoi ish shefi i policisë secrete maqedonase, Sasho Mijallkov.

Me bastisjet e sotme qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski tentoi të provokojë shqiptarët e Maqedonisë për të shkakatuar incidente të reja. Flitet edhe ditëve të ardhshme të ketë incidente të reja në vendbanimet shqiptare.

Në ç’drejtim po shkon Maqedonia?

Maqedonisë mund t’i ndodhë edhe skenari i Bjellorusisë, nëse nuk respektohen marrëveshjet e firmosura, paralajmëroi përfaqësuesi i BE-së Pieter Vanhaute: “Nuk mund t’ ju them cili është plani B, por konsideroni se çfarë ndodhi në shtete të tjera, jo nga ky rajon, që kishin probleme me sundimin e ligjit. Konsideroni shembullin e Bjellorusisë”.

Listat e zeza dhe bllokimi i xhirollogarive bankare, sipas Vanhaute, janë treguar metoda efikase në shumë shtete, për zhbllokimin e proceseve të ndryshme. Po bëhen përpjekje për ringjalljen e procesit, që sipas tij do të zgjasin vetëm deri në fund të javës. Problemi kryesor, siç thotë Vanhaute, është mungesa e llogaridhënies nga partitë politike.

“Vlerësimi im personal është se mungon llogaridhënia nga të gjitha partitë politike. Kur vijnë në pushtet, ata mendojnë se mund të jenë mbi ligjin. Gjithashtu, problem i rëndësishëm është edhe mosfunksionimi i parlamentit. Ju keni parlament, por nuk shoh se ai po bën gjërat që duhet t’i bëjë”, thekson Pieter Vanhaute.

Maqedonia dhe izolimi eventual i saj

Skenari i Bjellorusisë, i përmendur nga ndërmjetësuesi belg, Pieter Vanhoute, për analistët politik nuk është thjeshtë paralajmërim, por një qëndrim zyrtar i Perëndimit ndaj Maqedonisë. Përveç izolimit ndërkombëtar, bllokimit të llogarive për zyrtarët shtetërorë dhe futjes së tyre në lista të zeza, analistët paralajmëronë edhe destabilizim të situatës nëse dështon Marrëveshja e Përzhinës.

“Nëse ditët e ardhshme nuk gjendet ndonjë zgjidhje pres thellim të krizës politike në Maqedoni.Thellim të krizës në drejtim të trazirave politike, destabilizimit politik dhe shpresoj se nuk do të ketë edhe konflikte të përmasave më të gjera”,vlerëson profesor Marko Troshanovski.

Ismet Ramadani Kryetari i Këshillit Euroatlantik në Maqedoni, vlerëson se udhëheqësit politik në pushtet kanë frikë nga ballafaqimi me drejtësinë, ndaj këtu buron dhe mungesa e vullnetit për ta zbatuar marrëveshjen politike.

“BE dhe SHBA do t’i aktivizojnë mekanizmat e tjerë plotësues për të jetësuar marrëveshjen politike. Do të ketë një izolim total për kryeministrin e Maqedonisë, Maqedonia do të izolohet dhe mund të ndodhë të mos jetë pjesë e rekomandimit për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE”, vlerëson Ramadani.

Profesor Denko Maleski thotë, se lidershipi në Maqedoni është duke i vendosur motivet personale përpara atyre shtetërore, me këtë gjest ata po e rrezikojnë seriozisht të ardhmen e vendit. “Motivet personale të politikanëve janë seriozisht të përfshira, prandaj ata nuk mendojnë aq për të ardhmen e shtetit sa për pozicionin e tyre. Kjo e ndërlikon situatën në Maqedoni, pasi loja bëhet çështje jete apo vdekjeje”, thekson Denko Maleski.

Kriza dhe reflektimi i saj në proceset eurointegruese

Analisti Naser Zyberi thotë, zhvillime të tilla politike venë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve të 24 prillit vitin e ardhshëm, duke e çuar vendin në një krizë të thellë politike dhe ekonomike. “Shtyrja e vazhdueshme e afateve e ngushton hapësirën për të organizuar zgjedhje korrekte dhe të ndershme. Në qoftëse nuk mund të organizohen zgjedhje të parakohshme, të pranueshme nga të gjitha palët, atëherë Maqedonia futet në një krizë edhe më të thellë nga ajo që kemi sot”, thekson Naser Zyberi

Një notë negative vendi me gjasë të madhe do ta marrë në raport progresin nga Komisioni i BE-së, vlerëson ish-diplomati, Blerim Reka. Sipas tij, Maqedonia përballet për të parën herë me një sfidë shumë serioze që të mos ketë rekomandim pozitiv për fillim të negociatave. “Pas dështimit të bisedimevet të fundit midis katërshes së partive politike nën ndërmjetësimin e BE-së, Maqedonia rrezikohet seriozisht të dështojë në implementimin e njërit nga tre kriteret e Kopenhagës, pra përmbushjes së kriterit politik që është kyç për një rekomandim pozitiv. Zhvillimet e fundit nuk premtojnë ditë të mira për Maqedoninë “, thotë Reka.

Alternativë për dalje nga kriza

Rrugëdalja e vetme pas dështimit të Marrëveshjes së Përzhinës, do të ishte krijimi i shumicës së re parlamentare. Ish-kryetari i parlamentit Stojan Andov, vlerëson se për të shmangur përgjegjësinë nga dështimi, partive u mbetet rruga parlamentare për ta rrëzuar qeverinë e Gruevskit. “Rrjeshtimi i BDI-s, PDSH-s së bashku me LSDM-në dhe një pjesë të koalicionit të tanishëm të VMRO-s do të mundësonin formimin e shumicës së re parlamentare. Kjo do të jetë rrugë normale, rrugë parlamentare e ndërrimit të qeverisë Gruevski, dhe vet Gruevskit”, sipas Stojan Andov.

Analisti Albert Musliu, vlerëson se shumica e re parlamentare madje do të ishte forma më e butë për kapërcimin e ngërçit politik, karshi metodave të tjera që ka në dorë faktori ndërkombëtar. “Ndërkombëtarët ose duhet të gjejnë implementues të tjerë siç është mundësia me një shumicë të re parlamentare, ose duhet të marrin ndryshime në forma të tjera, të papëlqyeshme si për Maqedoninë ashtu edhe për faktorin ndërkombëtar. Prej dy varianteve shumica e re është më e butë. Është kushtetuese, ligjore dhe do të mund të sigurojë zbatimin e detyrimeve të Marrëveshjes së Përzhinës”, analizon Albert Musliu.

Për profesor Mersel Bilalli, të gjitha opcionet janë të hapura, përfshi edhe rrëzimin e qeverisë. “Do të ketë edhe një tentim të bashkësisë ndërkombëtare me presion më të fuqishëm dhe ekip më të përforcuar të shihet çfarë mund të arrihet. Mendoj se pas asaj vjen agjenda e krijimit të shumicës parlamentare”, thotë Mersel Bilalli.

Ngecjet kryesore në bisedime sipas Vanhaute, janë tek Prokurorja Speciale, Komisioni Anketues Parlamentar, Ligji për bombat (inçizimet e fshehta kompromentuese) dhe për Qeverinë.

Deutsche Welle (www.dw.com)

Lirohet polici Afrim Sulejmani, u arrestua më 9 maj në Lagjen e Trimave (Foto)

Lirohet Afrim Sulejmani, njëri nga të arrestuarit në përleshjet mes policisë dhe grupit të armatosur në Lagjen e Trimave më datën 9 dhe 10 maj.

Sipas informacioneve që Alsat M ka siguruar, Sulejmani është liruar në mungesë të provave. Familjarët e tij kohë më parë kërkuan lirimin e djalit të tyre, policit Afrim Sulejmani duke garantuar se ai ishte i pafajshëm dhe se në ditën kur po zhvilloheshin përleshjet e armatosura, Afrimi po përgatitej për në punë.

Në kumtesën e parë të publikuar nga Prokuroria Publike, ai bënte pjesë në grupin e personave pjesëmarrës në logjistikë. Lirimi i Afrim Sulejmanit vjen plot 5 muaj e gjysmë pas arrestimit të tij.

Nga përleshja në Lagjen e Trimave mbetën të vrarë 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërkohë që u arrestuan dhjetëra përfaqësues të grupit të armatosur.

lirohetpolici2

Spiunazhi maqedonas projekton luftë kundër përsëritjes së Kumanovës

Shërbimet e sigurisë së Maqedonisë kanë ndezur alarmin e rrezikut nga ndonjë hakmarrje për rastin e Lagjes së Trimave në Kumanovë.

Pas vizitës që komisioni për mbikëqyrjen e shërbimeve të sigurisë, i ka bërë Agjencisë për zbulim, deputeti i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshovski tha se drejtori i kësaj agjencie i ka njoftuar deputetët për rreziqet e tilla nga sfera e sigurisë dhe se janë alarmuar edhe vendet fqinjë. Edhe pse Milloshovski nuk e përmendi gjatë konferencës për shtyp, më vonë televizioni Alsat konfirmoi se frika lidhet me rastin e Kumanovës dhe se Maqedonia ka alarmuar për këtë edhe Shqipërinë, Kosovën dhe vendet anëtare të BE-së.

“Ekzistojnë rreziqe të caktuara që lidhen me disa ngjarje apo ndërhyrje të mëparshme nga sfera e sigurisë dhe rreziqe të mundshme për aksione që do të ishin si revanshizëm ndaj ngjarjeve të tilla të sigurisë në periudhën e kaluar. Por për këto rreziqe janë alarmuar të gjitha institucionet kompetente, si edhe shërbimet rajonale dhe partnere nga vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s. Vlerësojmë se agjencia po bën maksimumin për të parandaluar çfarëdolloj përshkallëzimi që kanë të bëjnë me rreziqet në aspekt të sigurisë”, tha Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Deputeti i vetëm shqiptar që kishte marrë pjesë në këtë vizitë, ka ngritur edhe dilemat për përfshirjen e zyrtarëve të Agjencisë për Zbulim në inskenimin e incidentit të 9 dhe 10 majit në Kumanovë.

Adili alarmoi edhe për rënie drastike të përfaqësimit të shqiptarëve në agjencinë për zbulim, nga 18 në 10%. Ai tha se drejtori i Agjencisë ka fajësuar për këtë sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, pasi nuk ka dërguar atje shqiptarë edhe përkundër kërkesave të drejtorit.

Me largimin e Adilit nga BDI-ja dhe themelimin e partisë “Uniteti”, partia e Ahmetit tani ka mbetur pa përfaqësues në komisionin për mbikëqyrje të Agjencisë për Zbulim dhe Drejtorisë për Siguri e Kundërzbulim. Përveç Adilit në këtë komision bën pjesë edhe deputeti i PDSH-së, Ernad Fejzullahu, por ai nuk kishte qenë sot në vizitën që iu bë Agjencisë për Zbulim. (Alsat-M)

BDI-ja mes dekriminalizimit dhe shpartallimit

Shkup, 15 tetor – Tronditjet e fundit në partinë shqiptare në Qeverinë e Maqedonisë, Bashkimin Demokratik për Integrim, nuk janë farsë dhe loja të brendshme si ato që inskenoheshin në të kaluarën nga vetë drejtuesit e saj, thonë analistët vendorë.

Ata janë të bindur se polemikat, përçarjet dhe largimet e deputetëve janë të sinqerta dhe shumë serioze. Njohësit e rrethanave politike në Maqedoni thonë se BDI është në kufi mes dekriminalizimit ose shpartallimit si subjekt, transmeton nga Shkupi korrespondenti i “Kohës Ditore”.

Ish deputeti Ruzhdi Matoshi, njëherësh edhe një nga komandantët e ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, është i bindur se në BDI po zhvillohet një proces ku ndarja diversifikohet në taborin e të besuarve të Ali Ahmetit dhe frymës reformiste që tani identifikohet me gjeneralin Gëzim Ostreni. Tabori i parë, sipas Matoshit tani më edhe në mënyrë të faktuar nga përgjimet dhe ngjarjet e fundit është e perfaqësuar me funksionar qeveritar dhe komunal të inkriminum në korupcion dhe kriminalitet e nepotizëm qeverisës. “Ata duhet të përgjigjen një ditë para drejtësisë për veprimet koruptive si kryetari i Gostivarit që ka simbioz me krimin e organizar dhe ka deformuar rezultatin në zgjedhjet e fundit lokale, apo kryetari i Çairit për keqpërdorime në legalizim dhe kaos urbanistik në këtë komunë.

Ish ministri i Drejtësisë, i cili harroi interesin e popullit dhe nga bombat e opozitës, u dëgjua duke shitur vende gjykatësi dhe prokuror”, thotë Matoshi. Sipas tij, për krimet e zyrtarëve të BDI-së tanimë kanë filluar të flasin edhe institucionet ndërkombëtare, ndërsa pas aferës Maxhar Telekom pritet edhe një aferë e re.

“Do të përgjigjen të inkriminuarit në aferat maxhar telekom dhe në të ardhmen dhe në aferën e privatizimit të EVN-së, një proces i cili duhet të bëhet transparnt dhe fryma e re që përfaqësohet nga gjeneral Ostreni që besojnë në proqes të drejt poitik e bazuar mbi reforma politike që rrisin interesat e qytetarëve dhe janë në kohabitim me politikat e Bashkimit Eeuropian”, vlerëson Ruzhdi Matoshi.

Por, sipas gazetarëve të cilët ndjekin politikën e brendshme na Maqedoni, BDI ndodhet në një situatë të pashpresë tanimë, pas daljes në sheh të aferave korruptive. Benjamin Arifi, gazetarë që ndjek nga afër partitë politike në Maqedoni, thotë se BDI-ja i është nënshtruar një procesi shpartallimi që nuk ka kthim prapa. Kjo, sipas tij ndodh kryesisht për shkak të dështimit për realizimin e ndonjë premtimi të rëndësishëm në 3 mandatet e fundit dhe indikacionet për përfshirjen e funksionarëve të saj në afera krimi dhe korrupsioni.

“BDI-ja arriti që për një kohë të shkurtër, ta harxhojë gjithë përkrahjen ndërkombëtare që gëzonte si subjekt përfaqësues i shqiptarëve, për shkak të qëndrimit pro-Gruevist dhe totalitar kur janë në pyetje vlerat më të mëdha perëndimore, si demokracia, liria e mediave, sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Nuk dyshoj se pasojë e kësaj politike është edhe procedimi i aferës “Magjar Telekom”, kundër krerëve më të lartë të BDI-së”, vlerëson gazetari Benjamin Arifi.

Këto vlerësime vijnë pas rritjes së vazhdueshme të numrit të zyrtarëve që kohëve të fundit braktisin BDI-në. Pas ish deputetit, Arben Llabënishti, deputetit Zulfi Adili dhe gjenerali Gëzim Ostreni braktisën BDI-në dhe këta dy themeluan partinë e tyre, Uniteti. Ndërkaq të mërkurën largimin nga BDI e ka konfirmuar edhe deputetja Ermira Mehmeti e e cila llogaritet si një nga figurat e para të kësaj partie. Ndërkaq shumë zyrtarë të tjerë kanë shpeshtuar thirrjet për reforma brenda BDI-së

Sot dhe nesër konferenca shkencore mbi shqiptarët e Shkupit

Në këtë konferencë shkencore do publikohen fakte dhe dëshmi të reja për historinë e shqiptarëve të Shkupit dhe rrethinës në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore

SHKUP – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me mbështetje të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni sot bëri hapjen e konferencës shkencore historike dyditore me temë “Jeta shoqërore e shqiptarëve në Shkup dhe rrethinë ndërmjet dy luftërave botërore”.

Në këtë konferencë shkencore, me punimet e tyre marrin pjesë mbi 30 studiues të njohur nga shumë qendra shkencore të vendit dhe jashtë, të cilët do të sjellin fakte dhe dëshmi të reja për historinë e shqiptarëve të Shkupit dhe rrethinës në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore.

Ministri i Arsimit i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi në fjalën e tij tha se dikasteri që drejton ai do të vazhdojë mbështetjen e këtyre aktiviteteve me qëllim që të mund të dilet me fakte të reja historike.

“Është një aktivitet i rregullt i përkrahur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe ne do të vazhdojmë të përkrahim jo vetëm këtë Institut, por edhe institutet e tjera të cilat  organizojnë jo vetëm  për të nxjerrë fakte të reja historike por për të na ndihmuar  që historia të shkruhet drejtë ashtu siç është në bazë të fakteve dhe argumenteve. Dhe më e rëndësishmja që të na ndihmojnë këto institute për të përpiluar edhe tekste shkollore për histori të cilat ndonjëherë janë kontestuese ndonjëherë janë kontraverse dhe ndonjëherë janë me burime të dyshimta”, tha Ministri i Arsimit, Abdilaqim Ademi.

Dëshmia: ‘Monstra’ u bë me urdhër të VMRO-së

Një dëshmi tronditëse publikohet për rastin famëkeq “Monstra”, ku 6 maqedonas u vranë, para tre viteve në liqenin e Smilkovcit, 10 km në largësi nga Qendra e Shkupit.

Dëshmin e publikon portal maqedonas, OhridSkay. Sipas këtij portal ekzekutimin e 6 të rinjëve maqedonas e kanë kryer pjestarët e sigurimit të dy funksionarëve të lartë të VMRO-DPMNE-së.

Arsyeja është se  vajzat e këtyre dy funksionarëve kanë  pasur fillimisht lidhje dashurie dhe më vonë janë keqtrajtuar nga të rinjët maqedonas. Në shenjë hakmarrje, funksionarët e VMRO-së kanë dhënë urdhër që të eliminohen të rinjët maqedonas.

Një pjestar i sigurimit  të forcave maqedonase të sigurisë që edhe ka marr pjesë në vrasje ka arritur të vendos kontakt në qytetin e Preshevës me një pjestar të lartë të  intelegjencës serbe nga rradhët eshërbimit secret BIA.

Në këtë takim pjestari i intelegjencës serbe i jep si shpërblim 50 mijë euro, kolegut të tij nga Maqedonia, për një video-xhirim të cilën e kishte bërë ai në Shkup me telefon celular gjatë vrasjes të të rinjëve maqedonas.

Në atë moment kur pjestari shërbimit sekret serb e ka marr video-xhirimin e ka dërguar menjëher në bazën e BIA-së në Serbi dhe për këtë ngjarje është njoftuar edhe kyeministri serb, Vucic.

Atëher menjëher ka reaguar qeveria serbe dhe ka dhënë urdhër që në kufirin administrativ të dërgon një kontigjent me xhandarmeri dhe një pjesë të njësitit për antiterrorizëm-Kobrat.

Intelegjenca serbe dhe shërbimi BIA i disponon këto dëshmi edhe sot e kësaj dite. Por gjatë gjithë kësaj kohe përfaqësues të qeverisë së Gruevskit dhe Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim të Maqedonisë disa herë kanë shkuar në Beograd dhe kanë dhënë ryshfet që të marrin video-xhirimin dhe t’a djegin, për të asgjësuar të gjitha dëshmit transmeton Zhurnal.

Ndryshe për rastin “Monstra” janë dënuar me burg të përjetshëm 6 shqiptar nga Shkupi. Avokatët mbrojtës deklarojnë se ky është rast i montuar politik./Zhurnal/

Kërçovë – përplaset një furgon, plagosen 18 veta

18 veta të plagosur si pasojë e një parakalimi të gabuar, ky është bilanci i një aksidenti automobilistik të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kërçovë.

Në aksident ku janë përfshirë dy furgonë dhe një veturë mbetën të lënduar 18 persona, 6 prejt të cilëve kanë marr lëndime të rënda janë dërguarr në spitalin “Shën Erazmo” në Ohër, ndërsa 3 persona të tjerë për shkak të lëndimeve serioze janë dërguar në Qendrën emergjente në Shkup.

Ndërsa 9 persona të tjerë të përfshirë në aksident kanë kaluar me lëndime të lehta.

Mësohet se ngjarja ka nodhur rreth orës 7 të mëngjesit në rrugën rajonale Kërçovë-Osllomej në fshatin Mamudovci.

Sipas informacioneve të SPB Ohër, aksidenti ka ndodhur në momentin kur njëri prej furgonave ka nisur që ta parakaloj furgonin tjetër që ka ardhur deri në përplasjen direkt me veturën që ka ardhur në drejtimin e kundërt, pastaj edhe me furgonin tjetër./Zhurnal.mk

Kumanovë – digjen 12 makina gjatë natës

Rreth 12 automjete janë djegur në mënyrë të mistershme deri tani, natën mes së hënës dhe të martës në Kumanovë.

Qytetarë të shumtë shqiptarë nga qyteti i Kumanovës i janë drejtuar televizionit Alsat duke përcjellur dhe fotografi nga vendngjarja.

Banorët dhe pronarë të makinave shprehen të shqetësuar dhe thonë se nuk dijnë se çfarë po ndodh saktësisht. Makinat e përfshira nga zjarri kanë qenë në disa lagje, disa në afërsi të stacionit policor, disa në rrugën që çon nga Banka e vjetër për tek salla e sporteve dhe në afërsi të lokalitetit Garnizon.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po heton rastin, ndërsa rrugëve të Kumanovës vërrehen edhe qytetarë tek disa prej të cilëve mbizotëron edhe revoltë e madhe.

Televizioni Alsat do të ndjek ngjarjen dhe do të tentojë të sigurojë edhe prononcim zyrtarë nga policia.

Televizioni Alsat-M ka kontaktuar me policinë e Kumanovës, por atje thanë se informatat e para zyrtare do të ndahen me opinionin mëngjesin e së martës përmes një njoftimi me shkrim.

Skandal – ‘Maqedonia’ i përgjon ndërkombëtarët

Bisedimet mes Klubit të Deputetëve të Shkupit dhe ndërkombëtarëve dyshohet se përgjohen. Mediat maqedonase hedhin dyshimin e rëndë se, takimet mes deputetëve nuk mbeten të fshehta, pasi përgjohen nga qeveria.

“Alsat M” mëson nga burime të ndryshme brenda bisedimeve, se edhe ndërmjetësi i deleguar nga Komisioni Evropian, Piter Vanhautte, ka reaguar ashpër disa ditë më parë, duke fajësuar përfaqësuesit e partisë maqedonase në pushtet për regjistrimin e paligjshëm të zyrave ku zhvillohen bisedimet.

Përfaqësuesit e partive në bisedime, nga ana tjetër, nuk e mohojnë përplasjen që ka pasur Vanhautte dhe përfaqësuesit e pushtetit për çështjen e përgjimit të mundshëm të Klubit të Deputetëve. Dyshimet e mediave lidhen me problemet e ndryshme teknike që kanë hasur deputetët me telefonat e tyre, që pas fillimit të bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes së Përzhinos.

“Para dy ditësh, telefonat celularë të pjesëmarrësve në bisedime kanë qenë jo-funksionalë për shkak të problemeve me rrjetin, gjë që ka bërë të pamundur koordinimin e negociatorëve me krerët e partive të tyre”, shkruan “Alsat M”.

Sipas mediave, bisedimet mes disa partive dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë janë zhvilluar në këmbë, duke ecur përgjatë kopshtit të Klubit të Deputetëve.

Gëzim Ostreni e themeloi partinë e re shqiptare Uniteti

Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, Gëzim Ostreni, sot e ka shpalosur platformën e partisë më të re shqiptare,Uniteti, duke theksuar se lindja e kësaj partie është inicuar si nevojë që shqiptarët e Maqedonisë të mos kenë parti të kontrolluara nga partia e kryeministrit Nikolla Gruevski VMRO-DPMNE.

“Idetë e partive shqiptare janë të kontrolluara nga VMRO-DPMNE dhe mundohen të sigurojnë monopol për vete. Shqiptarët po e ndjejnë veten të pasigurt se a do të realizohen çështjet për të cilat i kanë votuar përfaqësuesit. Marrëveshja e Ohrit nuk po realizohet sepse janë betuar se do të jenë besnikë ndaj organeve të shtetit. Ne vlerësojmë se partitë parlamentare shqiptare janë vasalë të VMRO-DPMNE-së. BDI-ja vazhdon të mashtrojë popullin duke thënë se do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe NATO, e tjetra nuk mund t’i shkëputet VMRO-së. Qeveria e Maqedonisë nuk ka ngurruar të përdorë dhunë ndaj shqiptarëve”, është shprehur Gëzim Ostreni, drejtues i partisë së re Uniteti.

Gëzim Ostreni ishte dhe njëri nga themeluesit kryesorë të partisë shqiptare të drejtuar nga Ali Ahmeti, BDI, pas konfliktit të armatosur në Maqedoni në vitin 2001.

Ostreni, njëkohësisht, për një kohë të gjatë e ka drejtuar BDI-në nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të partisë dhe e ka pasur dhe postin e nënkryetarit të parlamentit të Maqedonisë.

Kumanovarët s’e duan Ali Ahmetin në Lagjen e Trimave

Banorë shqiptarë të Kumanovës janë organizuar për të bllokuar të gjitha hyrjet dhe daljet e Kumanovës pas informatave që kanë marrë se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti planifikon një vizitë në këtë qytet, njofton koha.net.

Në mesin e banorëve flitet se Ahmeti do të vizitojë Lagjen e Trimave ku më 9 dhe 10 maj u zhvilluan luftime mes një grupi të armatosur dhe policisë maqedonase.

Në këto përleshje të vrarë mbetën 10 pjesëtarë të grupit të armatosur dhe 8 policë. Ndërkohë 40 shtëpi të Lagjes së Trimave u shkatërruan.

Jozyrtarisht mësohet se në mesin e qytetarëve që kanë që kanë dalë për të bllokuar rrugën janë edhe familjarë të komandant Shqiponjës, i vrarë në një incident të armatosur para disa javëve që u lidh me mosmarrëveshjet brenda BDI-së për udhëheqjen e degës së kësaj partie në Kumanovë.

‘Maqedonia’ zyrtare tjetër libër – ‘Shqiptarët janë vrasës’

Ofendimet e rënda ndaj shqiptarëve që vijnë nga Maqedonia nuk kanë të ndalur. Së fundmi është publikuar një libër me titull “Shqiptarët janë vrasës” nga autori Branisllav Svetozareviq, njëherësh drejtor i Muzeut të luftës së Maqedonisë, i njohur si muzeu i VMRO-së.

Autori nuk është ndonjë qytetar i zakonshëm, por drejtor i Muzeut të luftës së Maqedonisë, i njohur si muzeu i VMRO-së.

Muzeu është nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës dhe drejtori është emëruar nga Qeveria VMRO-BDI, njofton Koha Ditore.

139

Përveç titullit, kopertina e librit përmban edhe shumë elemente skandaloze, siç është një hartë e Maqedonisë së madhe ku autori e ka përfshirë edhe territorin e Shqipërisë si pjesë e Maqedonisë.

Në ballinë duket edhe një foto e autorit me ministren e Kulturës, Elizabeta Kançevska, dhe gjatë ditëve në vazhdim pritet të sqarohet nëse Ministria e Kulturës e ka sponsorizuar ose financuar botimin e këtij libri.

Gëzim Ostreni lamtumirë Ali Ahmetit – formon partinë ‘Uniteti’

Shkup – Kreu i BDI, Ali Ahmeti nuk do të ketë më mbështetje nga krahu i tij i djathtë i dikurshëm në luftën e vitit 2001, i cili tashmë do të jetë rivali i tij kryesor në politikë.

Gjenerali dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Gëzim Ostreni, do të jetë kryetar i partisë “Uniteti”, që edhe zyrtarisht ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve dhe regjistrimin në gjyq, njofton korrespodenti i “Koha Ditore” nga Shkupi.

Ky subjekt është edhe formalizim i ndarjes së BDI-së që kësaj partie i ndodh për herë të parë që nga themelimi. Përveç Gëzim Ostrenit, në këtë subjekt politik pritet të jenë edhe ish-ushtarë, ish-komandantë dhe zyrtarë e deputetë aktualë të BDI-së të cilët janë përfolur shumë më parë në opinion për një largim të mundshëm nga BDI.

Zulfi Adili, ish-komandant “Qufa”, aktualisht deputet në Kuvendin e Maqedonisë edhe zyrtarisht ka konfirmuar formimin e partisë “Uniteti” për disa media në Maqedoni. Nënshkrimin gjatë aktit të themelimit të partisë në Tetovë e kanë dhënë intelektualë të shoqatave të pavarura dhe aktivistë civilë nga Struga, Dibra, Kërçova dhe Shkupi.

“Uniteti” u tha se në maje të synimeve të saj do ta ketë federalizmin e Maqedonisë, ndarjen e barabartë të buxhetit si për maqedonasit ashtu edhe për shqiptarët. Uniteti – u tha më tej se do të synojë edhe mbrojtjen e historisë shqiptare, traditave, gjuhës shqipe, të drejtave ekonomike-sociale të shqiptarëve në gjithë Maqedoninë.

Përveç Zulfi Adilit më herët është thënë se edhe Hazbi Lika, Rafiz Aliti dhe kryetari i Kërçovës do të jenë pjesë e kësaj partie, por këta emra pritet të qartësohen gjatë ditëve në vazhdim.

Ndërkohë po sot në mesditë policia, ka arrestuar nipin dhe ish-shefin e kabinetit të ish-drejtorit të Postës së Maqedonisë, aktualisht deputet i BDI-së, Rafiz Aliti. Mediat në Maqedoni kanë ngritur dyshime se arrestimi mund të ketë qëllime hakmarrëse, transmeton Koha.net.

Përplasjet në BDI kanë filluar vite më parë ndërsa së fundmi në Kumanovë kulmuan edhe me vrasjen e ish-komandant “Shqiponjës”.

Nxënësit shqiptarë bojkotojnë mësimin, gjysma e lëndëve jepen në ‘maqedonishte’

Nga e cila nuk kuptojnë asnjë fjalë

Pothuajse gjysma e lëndëve mësimore, nxënësve shqiptarë të Shkollës Fillore “Joakim Kërçovski” të fshatit Nigishtan të Shkupit, u jepen në gjuhën maqedonase. Prej 1 jave nxënësit kanë nisur një bojkot të pjesshëm të mësimit. Ata thonë se përballen me shumë vështirësi pasi duhet të mësojnë anglishten, frëngjishten, informatikën apo lëndën e muzikës nga mësues maqedonas që në fakt nuk i kuptojnë asnjë fjalë.

“Ne kemi dëshirë që mësuesit të jenë shqiptarë dhe jo maqedonas, pasi nuk i kuptojmë se çfarë flasin. Më vështirë është maqedonisht të mësojmë!”.

“Po, ne shumë shpesh nuk i kuptojmë mësuesit maqedonas dhe ne kemi dëshirë të mësojmë mësimet, por nuk i kuptojmë! Shembull, mësuesja shpjegon, ne atë nuk e kuptojmë, ajo orën tjetër na pyet me nota dhe ne nuk dimë se si të përgjigjemi”.

“Unë kam dëshirë që të mësoj në gjuhën shqipe dhe sa më shpejt të zgjidhet ky problem. Ne po bojkotojmë mësimin në gjuhën maqedonase”.

Nga Këshilli i Prindërve të kësaj shkolle kërkojnë që të respektohet Ligji për Arsim Fillor dhe fëmijët e tyre ashtu siç parashikon edhe Kushtetuta, të mund të mësojnë në gjuhën amtare.

“Ne kryekëput kërkojmë që mësimdhënësit të dinë edhe gjuhën shqipe, pasi edhe me ligj është kjo e garantuar, ne nuk po kërkojmë asgjë jashtë ligjit. Mësuesja e gjuhës angleze është maqedonase, ajo e frëngjishtes maqedonase, e muzikës, edukatës fizike dhe informatikës, kjo është e tepërt. Nxënësit nuk kuptojnë asgjë, vijnë në këto orë mësimore dhe shkojnë d.m.th kemi problem me nxënësit tonë, ankohen se nuk po kuptojnë asgjë, ne po mundohemi por asgjë”, tha Avdullah Jahiu, përfaqësues i këshillit të prindërve.

“Vajzën e kam klasa e dytë, mësuesja e gjuhës angleze është maqedonase dhe vajza vjen në shtëpi dhe ankohet, më thotë babi ne nuk e kuptojmë mësuesen se çfarë na thotë, kurse fëmija i klasës së dytë fillimisht duhet ta mësojë gjuhën angleze apo atë maqedonase, ai nuk kupton asnjërën nga ato!”, deklaroi Qamil Alimi, prind.

Mësuesit shqiptarë të “Joakim Kërçovskit” thonë se kërkesat e prindërve dhe nxënësve janë legjitime. Ata thonë se nuk kanë asgjë kundër kolegëve të tyre maqedonas, por dëshirojnë që fëmijët të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.

“Plotësisht unë pajtohem me kërkesat e prindërve, ato janë reale, janë të drejta. Ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër përveç asaj që garanton ligji dhe kushtetuta, unë e lexova shumë mirë ligjin, mësuesi duhet ta dinë edhe gjuhën e nxënësit”, tha Ekrem Mustafa, mësues.

Ligji për Arsim Fillor, neni 9 dhe 172 është shumë i qartë. Shkollat që nuk ofrojnë mësimin në gjuhën amtare për nxënësit, do të gjobiten.

“Për nxënësit e bashkësive etnike që mësimin e ndjekin në gjuhë tjetër nga maqedonishtja, procesi edukativo-arsimor duhet të zhvillohet në gjuhën dhe alfabetin amë, i garantuar nga ky ligj. Ndërkohë gjobë prej 2 500 – 3 000 euro do t’i shqiptohet shkollës fillore nëse nuk respekton këtë nen”.

Drejtoresha e shkollës në fjalë, Sonja Llazarovska e kontaktuar nga ALSAT-M përmes linjës telefonike nuk deshi të prononcohej lidhur me bojkotin e nxënësve. Ajo vetëm tha shkurt se nuk është në dijeni me problematikën dhe se për gjithçka duhet t’i drejtohemi Komunës së Gjorçe Petrovit.

Grupi i Kumanovës në duart e Prokurores Speciale Janeva

Prokurorja speciale e Maqedonisë, Katica Janeva sipas të gjitha gjasave do të procedojë edhe rastin e pjestarëve të grupit të armatosur, që u arrestuan në Kumanovë.

Prokurorët e caktuar për këtë rast ,pasi kanë mbledhur provat, kanë paralajmëruar t’i lënë në procedim të mëtutjeshëm rastin Prokurorit të ri special, që u zgjodh ditë më parë, pas një marrëveshje politike mes partive kryesore në këtë vend.

Për këtë çështje prokurori special, ka diskutuar sot edhe në një takim me ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë Adnan Jashari.

Prokuroria e Maqedonisë ka ngritur padi ndaj gjithsejt tridhjetë personave, prej të cilëve 19 janë shtetas të Kosovës dhe 11 të Maqedonisë.

Në incidentin e armatosur që ndodhi në Lagjen e Trimave më 9 dhe 10 maj të këtij viti, ngelën të vrarë 10 anëtarë të grupit të armatosur dhe 8 pjestarë të policisë maqedonase. /RTK/

Federalizimi, një mënyrë e përsosur për shkatërrimin e demokracisë – Nga Phd Denis Celcima

Sipas liderit të opozitës shqiptare dhe ish-kryeministrit të Shqiperise, Z.Sali Berisha e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën e Maqedonisë është Federalizimi i saj. Si pasojë, në mënyrë të menjehershme derivon një pyetje: A nuk mund të mendohet federalizimi një tendencë apo mënyrë e re per prolongimin e dominimit sllav në Ballkanin Perëndimor?

Le ti kthehemi historisë- Tito, ishte urdhëruar nga Kominterni për të formuar dhe per të përmbushur të gjithë ciklin e Kondominiumit te Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë me qellim të mbylljes së ciklit të kolonizimit. Si rrjedhojë e gjithë kësaj u formua Republika e Maqedonisë.

Qëllimi real i Kominternit ishte për të kolonizuar dhe për të mbajtur kombin shqiptar të ndarë. Kështu që Maqedonia u kthye në një anëtare të denjë të Kondominiumit. Duke u bazuar në mendimin e zotit Berisha, analiza jonë mund të shkojë më tej e më thellë këtij argumenti dhe të pretendojë se ky lloj arsyetimi sjell shkaterrim të demokracisë dhe gjithashtu vazhdimësinë e regjimit sllav në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Bazuar në fakte reale sistemet Federative dështuan për shkak se ata jane të bashkuar artificialisht, në shërbimin e politikës së përditshme. Një shembull i përkryer i saj, janë ish-Bashkimi Sovjetik dhe ish-Jugosllavia. Në ditët e sotme dominon nje anarki përsosur në Iliridë, si pasojë e drejtimit të përsosur të përbindëshit post komunist të Kondominiumit.

Dhe në mënyrë habitore, e gjithe kjo po ndodh pikërisht para fytyres së diplomacisë Perëndimore e cila luan rolin e të mos-kuptuarit dhe të mos-diturit për arësye të ndryshme të sigurisë. Edhe nëse maqedonasit kanë dëshirën për të jetuar në mënyrë të barabartë dhe në liri me shqiptarët, shtetet e tjera të rrethit të Kondominiumit, nuk do ta lejojnë dhe për më tepër ta miratojnë atë.

Ky shtet “Pit Bull” i krijuar nga inxhinieria gjenetike e politikës së kolonializimit, është fatkeqsisht i keq-favorizuar dhe i handikapuar. Maqedonia nuk i ka kriteret natyrore për të qenë një shtet i vertete, sepse dhe etno-psikologjikisht ky komb nuk ka një drejtim për të ndjekur. Ajo herë ndjehet pjesë e fqinjëve veriorë dhe herë e fqinjëve jugore duke mos qenë e aftë të gjejë stabilitetin dhe sovranitetin e saj. Dhe tashmë me tezën e federalizimit pretendohet fuqishëm se kjo është nje mënyrë tjeter për të kolonizuar shqiptaret dhe realisht për të ndaluar bashkimin kombëtar.

Themelimi i shtetit maqedonas, sipas emrit të territorit të tij, i krijuar me ose pa dëshirë, nënkupton pushtimin e uzurpimin e historisë dhe investimeve miliardëshe të fqinjëve me qëllimin e vetëm të formohet përshtypja, duke u bazuar në argument fallso, se sllavo-maqedonasit janë autoktonë.

Ky fakt është tregues që konflikti i emrit me Greqinë është një tjetër fallsitet dhe aktrim për të tërhequr vëmendjen.

Deklarata e Rezolutës nr 1514 i organizatës së OKB-së për vetëvendosjen e vendeve të kolonizuara, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-se, më 14 dhjetor 1960 garanton të gjitha format e luftës së vendeve të kolonizuara. Bazuar në këtë deklaratë, pse të kërkohet federalizimi Maqedonisë dhe jo dekolonizimi i shqiptarëve.

Më 4 korrik 1776 Tomas Xheferson, në Deklaratën e famshme të Pavarësisë deklaroi: Vullneti i popullit është Sovran dhe kjo e drejtë e njëjtë mbrojtur në kohë paqe apo në kohë lufte. Me këtë deklaratë ai arriti dekolonizimin nga Anglia. Në të njëjtën formë drejtësie Presidenti amerikan Woodrow Willson dhe kryeministri britanik Winston Churchill, nga 9-12 gusht të vitit 1941 hartuan Kartën e Atlantikut, sipas së cilës jane të garantuara: -E drejta e jetës -Liria -Pavarësia -Të drejtat e njeriut -Drejtësia, si parimi kryesor i jetës dhe demokracisë.

Ende vazhdojmë të jemi pro federalizimit te Maqedonisë?

Pse nuk mundet që parimet kryesore të Kartës së Atlantikut të jenë në dispozicion për t’u respektuar dhe zbatuar për kombin shqiptar?

Pse udhëheqësit shqiptarë nuk mundin që të bazohen në keto parime të Drejtesise në vend që të krijojnë rregulla dhe metoda absurde për “mirëqenien” e Ballkanit?

Kjo metodë e paradoksit (me ose pa qëllim të mirë) në asnjë formë e mënyrë nuk është e bazuar në parimet e miratuara nga Asambleja e OKB-së.

Të njëjtët politikanë shqiptarë janë rekrutuar për të dalë në arenën politike me një organizatë te re politike të quajtur partia pan-shqiptare apo Partia për Federalizimin e Maqedonisë, e cila paraqitet si opozita e re e BDI-së dhe PDSH-së.

Gjasat janë që shqiptarët e Iliridës, të lodhur, të rraskapitur dhe qëllimisht të pa-mirarsimuar, të besojnë këtë falsitet të politikës , si një hap më i sigurt drejt bashkimit kombëtar. Dhe e gjithë kjo ndodh pikërisht në Europën e Madhe, në dyert e së cilës flitet për rilindjen e nje Federate ballkanike. Në kohën kur intervenimi i NATO-s ndodhi gjatë luftës së Kosovës (nga 24-03-1999 deri 1999/10/04) Presidenti amerikan Bill Clinton deklaroi: – Në Kosovë ne po mbrojmë praktikën dhe vlerat e demokracisë sonë.”

Raketat dhe bombat e amerikanëve arritën të zmbrapsin ushtrinë serbe, por për fat të keq, ato nuk mundën dhe dështuan përballë inteligjencë serbo-sllaviane, te cilët kane rekrutuar vazhdimisht dhe vazhdojnë rekrutimet e shqiptareve që kane poste të rëndësishme politike në kombin shqiptar. Si përfundim, shteti federal është projektuar si një lloj hipnoze e stabilitetit. Por sapo Europa të mendojë se shtetet e Ballkanit po jetojnë në paqe, ajo menjëherë do ta kuptojë se e gjithë teza e federalizimit është krijuar për të bere të mundur dominimin sllav jo vetëm ndaj shqiptarëve por në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

*Phd Denis Celcima: Lektore në universitetin”Aleksandër Moisiu “Durrës e-mail:[email protected]

Dokumenti – si u korruptuan Ali Ahmeti e Musa Xhaferi me 5 milionë €

Një aferë e madhe korruptive, e cila u trajtua nga Gjykata e New Yorkut, ka prekur rëndë drejtuesit më të lartë të partisë shqiptare në Qeverinë e Maqedonisë, Bashkimit Demokratik për Integrim.
Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Musa Xhaferi, njëherësh zëvendëskryeministër për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, akuzohen se kanë marrë 5 milionë euro nga “Magjar Telekom”, njofton korrespodenti i “Koha Ditore” nga Shkupi.

Ish-shefi i policisë sekrete të Maqedonisë dhe ish-këshilltari i Qeverisë, Sllobodan Bogoevski, në dëshminë e tij dhënë avokatit të Komisionit amerikan për letër me vlerë (SEC), lidhur me rastin “Magjar Telekom” dhe kompanisë së saj motër – “Telekomi i Maqedonisë”, në mënyrë të hollësishme i përshkruan të gjitha operacionet dhe aktivitetet në të cilat ka marrë pjesë edhe ndërmjetësuesi i tyre, i angazhuar nga biznesmeni kontrovers grek, Dimitris Kondominas, transmeton Koha.net.

Para gjykatës së New Yorkut, Bogoevski ka folur për miton e marrë nga partnerët shqiptarë të Qeverisë së vitit 2005-2006 të drejtuar nga ish-kryeministri Vllado Buçkovski me qëllim të korruptimit të tyre.

Kështu, në transkriptin e publikuar në 166 faqe, Bogoevski i përmend Buçkovskin dhe personat A.A. dhe M.Xh. se në më shumë raste, më ndërmjetësim të njerëzve të Kondominas, kanë marrë mito në vlerë prej 7.5 milionë euro (në kesh).

I pyetur nëse i njeh personat me inicialet A.A. dhe M.Xh., Bogoevski thotë se ata janë Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi dhe sipas tij paratë u janë dhënë për t’i korruptuar zyrtarët shqiptarë.

Bogoevski thotë se partnerët shqiptarë të Qeverisë së atëhershme kanë kushtëzuar nënshkrimin e Protokollit për bashkëpunim në mes të dy palëve, me pagesën e këstit të parë të shumës së marrëveshjes për ryshfet në vlerë 2.5 milionë euro, transmeton Koha.net.

Bashkëpunëtorë të Buçkovskit dhe Kondominasit kanë udhëtuar për në Tetovë tek shtëpia e Abdilhalim Kasamit, shef i atëhershëm i financave në BDI, thotë Bogoevski, sipas të cilit aty kanë qenë edhe Ahmeti dhe Xhaferi.

Atyre, siç dëshmon Bogoevski, paratë u janë dorëzuar në kesh.

Shqiptarët e Maqedonisë kërkojnë ‘Asociacion’ si të komunave serbe në Kosovë

Lëvizja UNITETI pranoi me rezerva lajmin për nënshkrimin në Bruksel të Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, duke vlerësuar se kjo marrëveshje është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe për rajonin e Ballkanit.

“Duke respektuar maksimalisht të drejtat e liritë e njeriut, individuale dhe kolektive të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe më gjerë, mendojmë që themelimi i Asociacioneve të këtilla paraqet një zgjidhje etno territoriale të kontesteve komunitare, që janë të dëmshme për qytetarët në Kosovë pa dallim.

Formimi i bashkësive të këtilla të veçanta territoriale për komunitete në numra modestë në territorin e një shteti sovran, mund të çojë në kërkesa të ngjashme nga komunitete tjera në rajon, të cilat kanë një potencë demografike pakrahasueshmërisht më të mëdha se komuniteti serb në Kosovë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Uniteti, transmeton ina.

Në drejtim të organizimit territorial dhe administrativ të Kosovës, kjo Lëvizje vlerëson se themelimi i një Bashkësie të këtillë çon në precedentin e krijimit të nivelit të tretë të pushtetit në vend, përtej atyre ekzistues aktualë në rafsh qëndror dhe lokal.

Gjithashtu, kompetencat burimore në sfera të tilla si arsimi, shëndetësia, edukimi, planifikimi hapësinor si dhe qenia e Asociacionit si entitet i veçantë ku një shtet tjetër sovran si Serbia ka të drejtë të ndërhyjë me formate financuese ose tjera, e çon Republikën e Kosovës drejt një decentralizimi të panjohur më parë me elemente të theksuara federaliste.

Uniteti vlerëson se Marrëveshja është edhe në kundërshtim me trendet europiane për zhvillim të barabartë të rajoneve. Andaj, duhet aplikuar modele që çojnë drejt një zhvillimi të barabartë duke thelluar bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe kurrësesi jo ndarjet në vija etnike.

“Lëvizja UNITETI, njofton opinionin e gjerë se do studiojë në vazhdimësi dhe seriozisht modalitetet e kësaj Marrëveshje dhe nëse ekzistojnë kushtet dhe kërkesat, do studiojë format dhe mënyrat e realizimit apo aplikimit të saj edhe në Maqedoni, në formën e një Asociacioni apo bashkimi të lirë e vullnetar të komunave shqiptare këtu, pa marrë parasysh vijimësinë gjeografike dhe përbërjen etnike të tyre”, theksohet në kumtesë.

Gjendja e emigrantëve në Gjevgjeli

Gjendja e refugjatëve nga Lindja e Mesme, në jug të Maqedonisë, vazhdon të jetë e vështirë, megjithëse autoritetet maqedonase kanë lejuar një pjesë të tyre të udhëtojnë drejt Serbisë. Shoqatat civile në Maqedoni e kanë quajtur trajtim johuman të refugjatëve, sjelljen e autoriteteve dhe të policisë maqedonase. Ndërkohë, Ministria e Rendit thotë se ka lëshuar 1200 leje-kalimi për emigrantët, të cilët synojnë vendet e Evropës perëndimore. Korrespondenti ynë Isak Ramadani ishte në Gjevgjeli dhe përgatiti këtë reportazh.

​​

Gjendja me refugjatët nga Lindja e Mesme në kufirin midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe në stacionin hekurudhor të Gjevgjelisë duket se po kalon në një krizë humantare. Pas çarjes së kordonit të policisë të shtunen dhe largimit të disa mijë refugjatëve drejt stacionit të trenave në Gjevgjeli, qindra të tjerë kanë mbetur prapa telave me gjemba, në fushat midis dy shteteve.

Po, cilat janë arsyet e qeverisë së Maqedonisë për masat e këtilla? Mendohet se ato janë politike. Disa kritikë mendojnë se Shkupi dëshiron të përfitojë fonde nga komuniteti ndërkombëtar; që projektet e humbura dhe të parealizuara t’i zëvendësojë me përfitime nga kriza e refugjatëve.

Greqia si vend anëtar i Bashkimit Evropian i lejon të kalojnë në rrugën e tyre drejt Evropës perëndimore, por mijëra refugjatët, më së shumti sirianë, hasin në pengesa në kufijt e Maqedonisë.

Kjo vajzë e vogël është ndarë nga familja, me gjasë në rrëmujën e krijuar të shtunen në fushat midis Gjevgjelisë dhe Idomenit.

Faris Mahmut Besam nga Damasku i Sirisë, ka arritur në stacioin hekurudhor të Gejvgjelisë. Ai thotë se policia maqedonase u ka shkaktuar mjaft probleme. “Ata qëllonin me armë në ajër, shkrepnin shashka, ndërsa për katër ditë kemi qëndruar nën shi pa përkujdesje. Kishte dhe foshnja e fëmijë të vegjël dhe nuk di se çka nodhur me ta”, thotë ai.

Ky sirian i cili nuk dëshiron ta zbulojë identitetin, thotë se refugjatët për pesë ditë kanë qëndruar në kufirin e Maqedonisë, nën qiell të hapur, pa ujë dhe ushqime, pa kushte elementare, humanitare. Ai pohon se policia përdorte shashka dhe forcë për të shpërndarë turmën.

AbuXhelil Abut nga Alepo e Sirisë, thotë se shpërthyen kordonin dhe u larguan me vrap. Ai është mjek me profesion. Me një grup prej tetë shkokësh që udhëtojnë së bashku, shpresojnë të arrijnë në Gjermani.

Adnan Arshad nga Kandahari i Afganistanit dëshiron të shkojë në Itali për një jetë më të sigurt. Ai udhëton me vëllain e tij, ndërsa thotë se në Kandahar ka mbetur nëna e tyre.

Ky refugjat sirian nuk dëshiron të shfaqet para kameras për shkak të shqetësimit për familjen e tij që ka mbetur në shtëpi dhe që të mos e pësojë, eventualisht, për shkak të paraqitjes së tij. Ai flet për gjendjen e mjerueshme në vendlindjen e tij. Ndërkohë, shpreson të pranohet në ndonjë prej vendeve evropiane ku do të punonte dhe të jetonte i qetë.

Refugjatë dhe emigrantë të tjerë i shërojnë plagët, pushojnë gjithkund ku mund të ulen në platformat e trenave dhe nëpër binarë. Grupe të tjera në kolonë, të rraskapitur arrijnë në Gjevgjeli. Grupe të tjera, herë pas here, arrijnë t’i shmangen rrethimit, me vrap drejt stacionit të trenave në Gjevgjeli. Të tjerë vazhdojnë të presin. Forcat maqedonase nuk lejojnë komunikimin me ata prapa telave në tokën asnjanëse, midis dy shteteve. Ky refugjat tregon njollat e gjakut në këtë veshje, me gjasë të shkaktuara nga rrahja e policisë.

Në Gjevgjeli vërehet mungesa e organizatave humanitare vendase. Një numër i vogël mjekësh e kanë vështirë t’ia dalin në krye me qindra refugjatët në nevojë. za

Maqedonia hap kufirin për refugjatët

Maqedonia hapi kufirin e saj për refugjatët me sa duket për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm. Më shumë se 1.500 refugjatë, kryesisht sirianë, hynë në këtë vend dhe policia nuk ndërhyri.

Ministria maqedonase e Punëve të Brendshme deklaroi se policia nuk do të përdorë dhunë kundër refugjatëve, po megjithatë do të vazhdojë të mbikëqyrë edhe më tej kufijtë. Sipas “kapaciteteve të mundshme” Maqedonia do të lejojë të hyjnë në vend ditët e ardhshme më shumë refugjatë. Por fillimisht emigrantët që kanë hyrë duhet të largohen nga stacioni i Gjevgjelias në drejtim të Serbisë, përndryshe qyteti kufitar kërcënohet nga një “krizë humanitare”.

Megjithëse në drejtim të Serbisë janë nisur shumë refugjatë, ende në Gjevgjelie janë duke pritur rreth një mijë refugjatë. Sipas njoftimeve të policisë, autoritetet kanë lëshuar që nga e shtuna dokumente për rreth 4.000 emigrantë, duke i lejuar ata që të vazhdojnë rrugën drejt Serbisë. Në brezin e gjelbër mes fshatit grek Idomeni dhe Gjevgjelies janë duke pritur ende rreth 200 vetë, ndërsa qindra të tjerë kanë arritur në qytetin grek Kilkis.

Kufiri në Gjevgjeli ishte e mbyllur për tri ditë dhe aty pati skena dramatike, sepse mijëra njerëz u detyruan ta kalonin natën pa ushqim dhe ujë në shi të fortë në kufirin e mbyllur me tela me gjemba. Të shtunën pasdite rreth një mijë refugjatë arritën t’i kalonin barrikada kufitare dhe vërshuan në territorin e Maqedonisë. Policia përdori shkopinj gome, por pastaj e hapi kufirin krejtësisht.

ANSA: Mijëra emigrantë shpërthejnë murin policor në kufirin jugor të Maqedonisë (fotoreportazh)

Policia ka përdorur granata shurdhuese për ta bllokur fluksin e njerëzve, por pjesa më e madhe e tyre janë nisur drejt stacionit hekurudhor të Gjevgjelisë
VOAL -Mijëra emigrantë të bllokuar në kufirin mes Greqisë e Maqedonisë e kapërcyen blloqet e policisë dhe hynë brenda këtij vendi. Shumë prej tyre mbetën të plagosur kur policia u përpoq t’i ndalonte. Kaosi filloi kur policia vendosi të lejojë një grup të vogël emigrantësh të shoqëruar me fëmijë të vegjël. Turma ka vazhduar trysninë derisa ka shpërthyer bllokun e policisë. Shumë fëmijë e gra, të paktën njëra shtatzënë, kanë rënë përtokë pa ndjenja.

Policia ka përdorur granata shurdhuese për ta bllokur fluksin e njerëzve, por pjesa më e madhe e tyre janë nisur drejt stacionit hekurudhor të Gjevgjelisë.

 HEDHJA E GRANATAVE SHURDHUESE 

Në 24 orët e fundit në Maqedoni kanë hyrë “826 refugjatë, nga të cilët 163 minorëi; mes këtyre figurojnë 25 fëmijë pa prindër”. Kështu i thotë ANSA-s Ivo Kotevscki, zëdhënës i policisë maqedonase. “Si është e mundur – thotë – që këta fëmijë kanë arritur deri këtu, pse autoritetet greke nuk i kanë ndalur? Kotevscki pastaj ka konfirmuar se, kur e shohin të arsyeshme, autoritetet maqedonase lejojnë grupe të vogla nga 200 veta për të hyrë. Dhe yk është momenti me delikat, kur ndodhin vërshimet.

Pas një nate e një dite tensionesh, autoritetet maqedonase më në fund kanë lejuar dy grupe nga 200 emigranti, kryesisht familje, për të kaluar kufirin, i cili shkon përgjatë linjës hekurudhore. Qëllimi, thotë agjencia MIA, është dhënia përparësi më të dobtëve, grave, fëmijëve, pleqve, në përpjesëtim me mundësitë e vendit për ‘t’i pritur dhe ndihmuar’, por jo në sasira të mëdha.

Komisioni i BE-së, kapur në befasi nga reaksioni i Shkupit, ka vënë në dukje se tashmë ia ka dërguar Maqedonisë 90 mijë euro për të filluar një program për pritjen e refugjatëve, në bashkëpunim me Turqinë dhe vendet e tjera të rajonit. Brukseli ka deklaruar se po i ndjek zhvillimet nga afër, por pa ndërmarrë plane afatgjatë. Ndërkohë situata në terren por rnedohet. Mjekët Pa Kufij kanë denocuar se kanë trajtuar dhjetëra emigrantë pas hedhjes së gazrave lotsjellëse dhe granatave shurdhuese nga ana e forcave të armatosur maqedonase në mes të turmës së refugjatëve. 2Disa prej tyre i i kemi trajuar në vend, të tjerët i kani dërguar në spital, njëri prej tyre ishte rrahur nga forcat maqedonase,” deklaroi MPK, duke shtuar se po shpërndan ndihma urgjente: shumë nga emigrantët bien pa ndjenja nga uria, etja, vapa dhe lodhja.

“Ekipet tona nuk kanë parë kurrë kaq shumë njerëz në kufi, ku në këtë moment janë më shumë se 3.000,” deklaron MPK. Shkupi, njofton MIA, akuzon Greqinë se jo vetëm nuk dëshiron të kontrollojë fluksin e emigrantëve, por po i organizon ata me atuobusë nga Selaniku deri në kufi, ku në afërsi ndodhet hekurudha..

“Duket se duan të kontrollojnë hyrjen tonë në vendin e tyre, por në fund do të na lejojnë të gjithëve të hyjmë,” tregon pë AP Hassan, baba i një famileje siriane në purgatorin e tokës së askujt. Vetëm muajin e shkuar kanë hyrë 40 mijë refugjatë në Maqedoni, më se dyfishin e muajit paraardhës. Kufiri ishte gjithnjë i hapur, nja dy patrula e asgjë më. Deri dje. “Nuk e kuptoj pse po na e bëjnë kështu,” pyet Mohammad, iraken. “Nuk kam pasaportë, nuk kam dokument identiteti, nuk mund të kthehem prapa dhe nuk kam askënd ku të shkoj. Do të rri këtu deri në fund të fundit.”

Bozhidar Dimitrov: “Maqedonasit janë bullgarë”

Georgievski ka pasaportë bullgare

Bozhidar Dimitrovi është drejtor i Muzeut Historik Kombëtar në Sofje dhe çdo të shtunë mban ligjërata në një emision televiziv në Bullgari. Gati 70-vjeçari trajtohet si kujdestar i vlerave historike bullgare dhe propagandues i çështjeve kombëtare. Me tezat populiste ai kërkon ndryshimin e ligjit, me qëllim që maqedonasit të kenë të drejtën të marrin nënshtetësinë bullgare. Ai thotë se maqedonasit nuk duhet të kenë dëshmi për prejardhjen bullgare. Historiani Bozhidar Dimitrov shpjegon: “13 shekuj, deri në vitin 1944, në Maqedoni kanë jetuar bullgarët. Dhe një ditë u është thënë se ata nuk janë më bullgarë por maqedonas dhe se ata nuk kanë lidhje me Bullgarinë. U është thënë se ata do të kenë një shtet të vetin, historinë dhe gjuhën e tyre. Dhe kjo është bërë, ndaj ata kanë probleme me identitetin.”

Marrja e nënshtetësisë bullgare

Deri në 500.000 maqedonas mund të marrin nënshtetësinë bullgare dhe të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, shpreson ai. Kjo do të ishte një e katërta e shtetasve të Maqedonisë dhe do të konfirmonte tezën se “maqedonasit janë bullgarë”, të cilën e sugjeron Dimitrovi. Dimitrovi ka punuar dikur në shërbimin sekret komunist të Bullgarisë dhe është detyruar me dhunë të heqë dorë nga posti ministror. Por ai nuk ka pikë dyshimi se do ta realizojë qëllimin e tij për ndryshimin e ligjit: “Nëse organizohemi mirë, dhe këtu kërkohet jo vetëm ndryshimi i ligjit por edhe vullneti politik, maqedonasit shumë shpejt mund të bëhen pjesë e BE. Ne kështu do t’i zgjidhnim problemet tona demografike. Të gjithë maqedonasit, me në krye kryeministrin e tyre, duan të marrin pasaportën bullgare.”

Georgievski ka pasaportë bullgare

Ish-kryeministri maqedonas Ljupço Georgievski ka pasaportë bullgare. Por ai kundërshton tezën për Maqedoninë bullgare: “Në Maqedoni kanë ekzistuar edhe 90 vite para vitit 1945 patriotë të cilët i kanë pështyrë bullgarët. Kjo vazhdon deri më sot. Mendoj se “Muri i Berlinit” mes bullgarëve dhe maqedonasve ende ekziston. Ne duhet të lirohemi nga këto paragjykime. Por prej pavarësimit të Maqedonisë është shënuar edhe një afrim me Bullgarinë.”

Në Maqedoni ndërkohë dy të tretat e banorëve kanë dyshtetësi dhe në këtë mënyrë një mundësi të madhe lëvizjeje. Edhe shoferët bullgarë vozisin makina në botën e jashtme me targa bullgare. Por në Maqedoni një e treta e popullatës janë shqiptarë. Analisti Kim Mehmeti shpjegon dallimin mes maqedonasve dhe bullgarëve: “Këta janë dy popuj, por nuk ka asnjë vend tjetër ku historia e dy popujve është kaq e ndërthurur si ajo e bullgarëve dhe maqedonasve. Në Sofje dhe në Disneyland-in Shkup i gjejmë të njëjtat përmendore.”

Maqedonia është një vend prej nga largohen shumë banorë. Dëshira për të pasur një pasaportë të BE ka bërë që shumë maqedonas të deklarohen bullgarë. Një kalimtar në rrugë thotë: “Punëtorët tanë nuk munden të kthehen në vendlindje. Së shpejti do të kemi një Maqedoni pa maqedonas.”

Marrëveshja e Ohrit është jetike për Maqedoninë

Nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit thonë se marrëveshja kornizë e Ohrit mbetet dokumenti i paqes që mban gjallë procesin e demokratizimit, mirëkuptimit dhe tolerancës në Maqedoni. Sipas Sekretariatit, marrëveshja kornizë e Ohrit duhet të mbetet vizioni për një ardhmëri të përbashkët të të gjithëve, pa dallim etnie, feje apo grupi social.

Edhe në këtë përvjetor, në opinion ka dilema të mëdha se a është realizuar apo jo tërësisht Marrëveshja e Ohrit dhe fryma e saj. Në përgjithësi vlerësimet e analistëve flasin se dokumenti që parandaloi konfliktin e asaj kohe nuk ka arritur që të mbyllë çështjet për të cilat nuk kanë rënë dakord dy etnitë më të mëdha në vend- maqedonasit dhe shqiptarët.

Zyberi: Dokumenti i Ohrit u zbeh, duhet Marrëveshje e re

Një nga protagonistët e periudhës së arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, Naser Zyberi thotë se kjo marrëveshje si e tillë, në distancën pas shumë vitesh e ka humbur peshën dhe rëndësinë e saj .

“Implementimi i saj u stërzvarit tejmase, u deformua fryma e dokumentit gjatë implementimit si në Kushtetutë po ashtu edhe në fakte relative”. Sipas Zyberit, në kohën kur është miratuar marrëveshja e Ohrit ajo ka qenë një akt shumë i rëndësishëm për ardhmërinë e vendit, por sot ky dokument është i zbehtë, i deformuar dhe si i tillë është i pamjaftueshëm për t’i zgjidhur problemet e shqiptarëve në Maqedoni. Ai thotë se shtrohet nevoja për një marreveshje të re, më të nevojshme se marrëveshja e Ohrit.

Çdo shtet normal duhej të krenohet me këtë Marrëveshje

Profesori universitar, Lubomir Fërçkovski, i cili poashtu ka marë pjesë në përpilimin e Marrëveshjes së Ohrit vlerëson se ky dokument është një rrëfim i sukseshëm për politikbërjen në Maqedoni. “Çdo shtet normal do të duhej të krenohet me marrëveshjen e Ohrit. Ndërsa tek ne po ndodh e kundërta. Shumë politikanë, por edhe institucione turpërohen nga ky dokument. Kjo flet për ekzistimin e një politike të ulët në Maqedoni”, thotë Fërçkovski.

“Marrëveshja e Ohrit si dokument e ndërton dhe nuk e shpërbën shtetin, të drejtat etnike nuk i lidh me të drejtat territoriale me çka ruhet karakteri unitar i shtetit, njëherësh marrëveshja e Ohrit i rrit në masë të madhe të drejtat e bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni” , vlerëson Fërçkovski.

A siguron barazi Marrëveshja e Ohrit ?

Analisti Nijazi Muhamedi thotë se marrëveshja e Ohrit përveç që nuk është realizuar, teoretikisht dhe politikisht e konsolidon shtetin kombëtar maqedonas dhe e bën këtë mbi baza të ideologjisë nacionaliste maqedonase.

“Marrëveshja e Ohrit nuk mbështetet në parimet e një marrëveshjeje të barabartë , karakteri unitar gjegjësisht ai kombëtar maqedonas i shtetit është i pashkelshëm. Është turp historik të thuhet se kjo marrëveshje i bën të barabartë shqiptarët me maqedonasit apo është një kompromis midis dy popujve”, vlerëson Muhamedi.

Maqedonia ka nevojë të identifikohet me strategji të re demokratike

Analisti politik Denko Malevski thotë se Maqedonia duhet të ketë shumë kujdes për balancimin delikat etnik në të gjitha vendimet politike. Marrëveshja e Ohrit duhet të jetë një instrument që do të ndihmonte në këtë balancim. Sa është arritur kjo nuk mund të thuhet saktë, thotë ai.

“Marrëveshja e Ohrit e vendosi demokracinë maqedonase në drejtim të ri . Nëse së shpejti realizohet një stil konsensual i ri në politikën maqedonase, i cili do të kujdesej për balansimin delikat etnik në të gjitha vendimet politike, Maqedonia do mund të përparonte drejt konsolidimit demokratik”, thotë Malevski. Sipas tij Maqedonia ka nevojë për një lëvizje politike, e cila do ta largonte pa rezerva sistemin e vjetër dhe do të identifikohej me një strategji të re demokratike.

Partitë opozitare të pakënaqura me implementimin e Marrëveshjes

Partia opozitare shqiptare PDSH në përvjetorin e 14-të nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit vlerëson se ajo nuk i avancoi të drejtat e shqiptarëve, por përkundrazi është shndërruar në pengesë kryesore për realizimin e tyre.

“Për çdo ditë konstatohet një e vërtetë e madhe, fakti që deri tani marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar. Për çdo ditë del në pah nevoja imediate për një marrëveshje të re, me të cilën do të realizohen kërkesat për te drejtat e shqiptarëve për barazi të plotë në këtë shtet”, thuhet në reagimin e PDSH-së.

Edhe Partia për Lëvizjen e Turqve, PLT vlerëson se ende ekzistojnë probleme serioze në implementimin e marrëveshjes së Ohrit. Sipas saj, partitë në pushtet për fat të keq ende nuk e kanë kuptuar vlerën e vërtetë dhe rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.

“14 vite pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit , statusi i etnisë turke në këtë vend nuk është për t’u lakmuar. Administrata shtetërore është partizuar dhe politizuar, në këto kushte statusi i turqve nuk mund të jetë i mirë”, thuhet në reagimin e PLT-së.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 nga liderët e katër partive me të mëdha në Maqedoni dhe presidentit të atëhershëm të vendit. Ndërsa si garantues të marrëveshjes nga bashkësia ndërkombëtare nënshkrimet e tyre i depozituan përfaqësuesi i BE-së, Francois Leotard dhe ai i SHBA, James Pardew.

Ekspertët – Marrëveshja e Ohrit e pushoi luftën, pastaj pushoi së ekzistuari

SHKUP – Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e cila u nënshkrua më 13 gusht 2001 është një marrëveshje për sigurimin e të ardhmes dhe demokracisë në Maqedoni, si dhe mundësimin e zhvillimit të marrëdhënieve më të afërta dhe më të integruara ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Bashkësisë euro-atlantike, si dhe promovimin e zhvillimit të qetë e harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Marrëveshja u nënshkrua mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve specialë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve, e cila i dha fund konfliktit ndëretnik të vitit 2001 ndërmjet dy bashkësive më të mëdha etnike në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve. Në negociatat që zgjatën rreth dy muaj në qytetin e Ohrit u zhvilluan nën patronazhin e presidentit të atëhershëm të Maqedonisë, Boris Trajkovski, ndërsa u nënshkrua edhe nga kryetari i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (SDMS), Branko Cërvenkovski, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Arbën Xhaferi, kryetar i VMRO-DMPNE-së, Lupço Georgievski, si dhe nga kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Imer Imeri. Dëshmitarë në nënshkrimin e marrëveshjes ishin François Léotard, përfaqësues i posaçëm nga Bashkimi Evropian dhe James Perdue, përfaqësues i posaçëm nga SHBA.

Sot, 14 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, mendimet e politikanëve, ekspertëve, analistëve dhe publikut të gjerë janë të ndryshme. Në një prononcim për Anadolu Agency (AA) disa prej tyre thonë se kjo marrëveshja ka kontribuar në ndërtimin e një shteti dhe shoqërie multi-etnike, e cila garanton dhe promovon të drejtat e bashkësive etnike pakicë, ndërkohë disa të tjerë mendojnë se ende duhet të implementohen disa çështje të marrëveshjes, por ka edhe nga ata që mendojnë se kjo marrëveshje sjell jostabilitetin ndër-etnik në vend.

Një nga hartuesit e Marrëveshjes së Ohrit, Naser Ziberi, thotë për AA se kjo marrëveshje ishte një kompromis i nevojshëm dhe i dobishëm për Maqedoninë në momentet e një krize të thellë politike dhe të sigurisë, e cila e nxori vendin nga dyert e luftës qytetare, por në vijim, ai thekson se Marrëveshja e Ohrit fatkeqësisht ka has në pengesa që kanë ndikuar në zbatimin e saj, si dhe e kanë dëmtuar në cilësinë e implementimit të saj. Ziberi veçon se tashmë kjo ka ndikuar që me një seriozitet të madh përsëri të fillojnë të shfaqen pakënaqësitë në marrëdhëniet etnike, gjë që imponon nevojën për të kërkuar korrigjime, riparime dhe alternativa të saj.

“Unë personalisht mendoj se marrëveshja e Ohrit me disa ri-definime të disa çështjeve mund të jetë bazë e mirë e mëtejshme, sepse marrëveshje të këtilla historike të nënshkruara në momentet të këtilla dramatike dhe të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar nuk mund të përsëriten shpesh herë. Prandaj mendoj se kjo është bazë e mirë, një themel mbi të cilin duhet të ndërtohet konstrukti i sistemit politik të Maqedonisë, i cili do të garantojë marrëdhënie të qeta ndëretnike, perspektiv euro-atlantike të Maqedonisë dhe një mirëqenie për të gjitha komunitetet që jetojnë në të”, deklaron Ziberi.

Sipas tij, defekt themelor i Marrëveshjes së Ohrit është mos ekzistimi i një instrumenti i cili do të garantonte baraspeshën mes dy etniteteve më të mëdha në Maqedoni, shqiptarëve dhe maqedonasve, por siç thotë ai, jo për të gjitha çështjet që mos të ndodhë bllokada e sistemit, por për çështjet që prekin marrëdhëniet ndëretnike dhe resurset publike, si shpërndarjen e buxhetit dhe inkuadrimin në administratën publike.

“Në qoftë se këto dy lëmi mund të futen në një koncept i cili do të kërkojë pajtueshmëri mes dy etnikumeve, mendoj se perspektiva mund të jetë e garantuar. Në këtë pako do ta kisha futur edhe forcimin e kapacitetit të dygjuhësisë, i cili has në pengesa serioze. Me këto dy riparime Marrëveshja e Ohrit edhe më tutje mund të jetë bazament i fortë për ndërtimin e një shteti të konsoliduar, siç është aktualisht Maqedonia”, thotë Ziberi.

Ziberi në fund të fjalës së tij theksoi se kjo marrëveshje për 14 vite kontribuoj që Maqedonia së paku në raportet ndëretnike e tejkaloi një fazë krize, ndërsa më pas edhe ka avancuar dukshëm pozitën juridiko-politike të shqiptarëve në Maqedoni, përfshirë arsimin e shqiptarëve, përdorimin e gjuhës shqipe dhe simboleve, por edhe përfaqësimin e shqiptarëve në pushtetin lokal dhe administratë.

Ndryshe nga Naser Ziberi, ekspert në çështjet juridike dhe një nga pjesëmarrësit në hartimin e Marrëveshjes së Ohrit, Vlado Popovski, thotë për AA se Republika e Maqedonisë pas nënshkrimit të marrëveshjes në një masë të madhe ka ndryshuar, sepse para nënshkrimit të marrëveshjes ky shtet ishte një nga shtetet që u krijua nga shpërbërja e Jugosllavisë. Sipas tij, në Republikën e Maqedonisë ka ekzistuar një dhunë e rëndë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet kombësive, por pas nënshkrimit të marrëveshjes një lloj dhunë e tillë nuk ekziston.

Popovski duke u bazuar në Marrëveshjen e Ohrit thekson se shteti perceptohet si një vend jo vetëm i maqedonasve, por edhe i shqiptarëve dhe popujve tjerë që jetojnë në vend, pasi që siç thotë ai, në vitet 90-të komunitetet pakicë mendonin se Republika e Maqedonisë është e maqedonasve, ndërsa sot kjo qasje ka ndryshuar.

“Mendoj se ende ekzistojnë disa probleme nga Marrëveshja e Ohrit, së pari mentaliteti ende nuk ka ndryshuar. Inercia e pranimit të ndryshimeve nga marrëveshja, e cila është pranuar nga maqedonasit dhe nga Qeveria zbatohet me disa programe të veçanta, ende konsiderohet se maqedonasve ju merren disa të drejta dhe u jepen shqiptarëve, sikurse dikush i jep diçka dikujt dhe pastaj dikush do të ketë dëme nga krijimi i mundësive të barabarta të të drejtave”, thotë Popovski, duke i konsideruar këto si të meta të Marrëveshjes së Ohrit.

Ndërkohë, sipas analistit dhe ish-anëtarit të pavarur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Safet Bishevac, së pari duhet theksuar se marrëveshja në këtë vend ka sjellë paqe pas një lufte të shkurtë intensive, por ai nuk la pa përmendur se kjo ishte qëllimi kryesor i kësaj marrëveshje dhe është arritur, ndërsa të gjitha çështjet tjera që përmban kjo marrëveshje ndërkohë janë shumë të relativizuara.

“Marrëveshja e Ohrit është dashur të implementohet vetëm disa vite pas nënshkrimit të saj. Kaluan shumë vite pas skadimit të afatit të caktuar për implementimin e saj dhe ende pyesim se a është implementuar. Kjo marrëveshje me të vërtetë nuk është implementuar nën frymën në të cilën ishte e planifikuar të zbatohet. Njëra anë mendon se jep shumë, mendoj maqedonasit të cilët përbëjnë shumicën në këtë vend, ndërsa etnikumi i dytë më i madh në vend, shqiptarët, mendojnë se nga kjo marrëveshje ende nuk kanë marrë atë që ata kanë nevojë për të marrë. Atëherë, imagjinoni se në çfarë pozite janë pakicat më të vogla etnike, si turqit, boshnjakët, romët, serbët, vllehët dhe kombet tjera që jetojnë në Maqedoni”, deklaron Bishevac, duke theksuar se bashkësitë etnike më të vogla janë në një pozitë të varur nga vullneti i mirë mes dy bashkësive etnike më të mëdha në vend.

Analisti Safet Bishevac nënvizon se Marrëveshja e Ohrit përveç arritjes së paqes pas konfliktit të vitit 2001, duhej që të ishte edhe një marrëveshje që do të mundësonte një jetë harmonike në Maqedoni, ku praktikisht është një vend me kultura të ndryshme në të cilën përfshihet multi-kulturalizmi, multi-etniciteti, uniteti dhe bashkëjetesa.

Njëri nga themeluesit e Lëvizjes “Besa”, Afrim Gashi, thotë se Marrëveshja e Ohrit ka pasur dy qëllime: qëllimi i parë të ndalë konfliktin e armatosur; ndërsa qëllimi i dytë që ta bëjë shtetin nga një shtet një etnik në shtet multi-etnik. Ai merr shembull se vet fakti që pas 14 viteve ende parashtrohen pyetje se a është implementuar, flet për dështimin e saj, pasi që siç thotë ai, implementimi duhej të zgjaste vetëm tre vite dhe të përmbyllej gjithçka.

“Në dimensionin e parë, me vet faktin që u ndal konflikti, u çarmatos UÇK-ja dhe u vendos rendi në Maqedoni kemi konstatimin se ajo pjesë e marrëveshjes është kryer. Kurse kjo pjesa tjetër e shndërrimit të shtetit një etnik në shtetin multi-etnik kam bindje se totalisht ka dështuar. Nëse mund të flasim se prej vitit 2002 deri në 2006 ka pasur disa indikacione se ka tendenca dhe synime që kjo marrëveshje të implementohet, ndërsa prej vitit 2006 deri në vitin 2015 kjo marrëveshje jo që nuk është implementuar, por është anashkaluar totalisht”, deklaron Gashi.

Poashtu edhe kryetari i Shoqatës MATÜSITEB (Lidhja e Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni), Tahsin Ibrahim, thotë se edhe pse kanë kaluar 14 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, të drejtat e turqve në Maqedoni ende nuk janë zbatuar plotësisht. Ai duke u bazuar në raportin e vitit 2014 të Avokatit të Popullit, thotë se nga gjithsej 52 institucione në Republikën e Maqedonisë në dhjetë prej tyre nuk ka asnjë përfaqësues të përkatësisë turke.

“Marrëveshja e Ohrit duhet të rishikohet. Kjo marrëveshje u nënshkrua për përfaqësimin e popullit në norma të barabarta. Për tu integruar turqit në shoqëri duhet të ndiqen mënyra të ndryshme. Ne nuk jemi një pakicë, ne jemi faktor themelues i Republikës së Maqedonisë. Përveç kësaj, pragu 20 përqind i votave nuk është i përshtatshëm. Përfaqësimi i pamjaftueshëm i turqve në komuna poashtu tregon se të drejtat e turqve nuk janë të mjaftueshme”, deklaron Tahsin Ibrahim.

Çfarë tha Arbën Xhaferri për Marrëveshjen e Ohrit 10 vjet pas

Njëri nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, Arbën Xhaferri një dekadë pas firmosjes së saj kishte dhënë mesazhin e qartë.

“Marrëveshja e Ohrit në mënyrë brutale nuk është realizuar sidomos në ato pika kryesore që e bënë këtë marrëveshje të jetë zgjidhje e konfliktit të vitit 2001. Në rend të parë e kam fjalën për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe pastaj për decentralizimin dhe përfaqësimin adekuat, sidomos në aneksin C, ku flet për rregullimin e statusit të pjesëmarrësve të konfliktit të vitit 2001. Të gjitha këto në mënyrë të egër politikisht u shkelën”, ka deklaruar njëri nga themeluesit e PDSH-së dhe nënshkrues i Marrëveshjes së Ohrit, i cili ndërroi jetë në 15 gushtin e 2012.

Gostivar, policia arreston 6 striptiste nga Shqipëria, pasaportat ua mbante pronari

Tetë vajza shqiptare janë kapur nga policia maqedonase mbrëmjen e kaluar, gjatë një aksioni policor në lokalin “Nota” në Cegran të Gostivarit. Siç raporton “Zhurnal”, gjashtë prej tyre u arrestuan, sepse ishin pa dokumente identifikimi në momentin e kontrollit.

Vajzat qenë të moshës nga 21 deri në 33 vjeç dhe ishin punësuar si këngëtare dhe valltare (striptiste). Ato u dërguan në komisariatin e Policisë në Gostivar, raportojnë mediat maqedonase.

Gjatë kontrollit, pronari i objektit me iniciale Sh.Sh. e ka sulmuar verbalisht dhe fizikisht, njërin prej policëve duke ikur më pas nga lokali. Pas kryerjes së kontrollit, policia njoftoi se gjeti tetë nënshtetase nga Republika e Shqipërisë, gjashtë prej të cilave nuk kishin dokumente identifikimi.

Në orën 04:00, I.SH., vëllai i pronarit të objektit “Nota”, pa e thirrur askush, ka shkuar në komisariatin e policisë dhe ka sjellë me vete gjashtë pasaporta shqiptare për të arrestuarat, që ato nuk i kishin me vete gjatë arrestimit, shkruan “Zhurnal”.

Lokali në fjalë, me vendim të DAP është mbyllur për 30 ditë, ndërsa policia e Gostivarit po merr masa për dokumentimin e këtij rasti.

Maqedoni: Gjatë aksionit anti-terrorist u arrestuan 9 persona

Gjatë konferencës për shtyp të MPB-së në Maqedoni

Nëntë persona janë arrestuar kurse ndaj 27 të tjerëve janë ngritur kallxime penale nën dyshimin për pjesëmarrje në aktivitete ushtarake jashtë vendit, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë pas mbylljes së aksionit anti-terrorist që kishte nisur në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte.

Aksioni është realizuar në Kumanovë, Shkup, Gostivar dhe Strugë me ç’rast janë bastisur disa objekte fetare për të cilat besohet se nuk janë nën kontrollin e Bashkësisë Islame të Maqedonisë.

“Ministria e Punëve të Brendshme herët në mëngjes ka filluar me realizimin e fazës finale të operacionit „Qelia“. Gjatë aksionit 9 persona janë arrestuar kurse 27 të tjerë për momentin janë të pakapshëm dhe sipas të dhënave tona operative rreth 20 prej tyre ndodhen në vatrat e lutës, kryesisht në Siri”.

“Gjatë aksionit policor janë konfiskuar 38 kompjuterë, 18 laptopë, 18 tabletë, 119 telefona celularë dhe shumë pajisje tjera teknike që do të shërbejnë si prova materiale“, ka deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov duke shtuar se hetimet kundër këtij grupi kishin nisur që nga shtatori i vitit të kaluar pas informacioneve mbi veprimtarinë e jashtëligjshme të tyre brenda dhe jashtë territorit të Maqedonisë.

“Në bazë të dëshmive të siguruara, pranë Prokurorisë Publike për ndjekjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë ngritur kallzime penale kundër 35 personave nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Kumanova dhe Struga, të moshës nga 19 deri 45 vjeç”.

“Ata akuzohen për pjesëmarrje në ushtritë e huaja, formacionet paraushtarake dhe policore. Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me Prokurorinë Publike do të vazhdojë edhe në të ardhmen me aktivitete të ngjashme për zbulimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë me qëllim zbardhjen e plotë të rastit“, ka deklaruar ministri Çavkov duke konfirmuar edhe informacionin mbi arrestimin e Rexhep Memishit, imamit të një xhamie të Shkupit, e cila është jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë.

Kreu i MPB-së tha se personi në fjalë dyshohet të jetë një nga ideologët kryesor të rekrutimit të personave nga Maqedonia për në luftërat në Siri dhe Irak.

Ministri Çavkov për herë të parë ka publikuar edhe shifra mbi shtetasit e vrarë dhe ata që marrin pjesë në luftimet atje.


Send this to a friend