VOAL

VOAL

Maqedoni e Veriut, DW: A do të rindizet konflikti për emrin me Greqinë?

Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me betimin e saj në parlament të dielën rindezi një debat të vjetër. Në vend të “Maqedoni e Veriut”, siç është emri i ri i vendit pas ujdisë me Greqinë, ajo përdori emrin “Maqedoni”.

Ambasadorja greke në vend, Sophia Philippidou në shenjë proteste u largua nga salla. Edhe Ministria e Jashtme në Athinë reagoi duke deklaruar më vonë, se qëndrimi i presidentes së re të vendit rrezikon marrëdhëniet bilaterale dhe rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kërkoi nga vendi të respektojë marrëveshjet e arritura, nëse do të mbetet në rrugën e anëtarësimit në BE.

Fituesit e rinj të zgjedhjeve duan të përdorin emrin e vjetër

Gordana Siljanovska-Davkova fitoi qartësisht të mërkurën zgjedhjet presidenciale si kandidate e partisë nacionaliste, VMRO-DPMNE kundrejt kandidatit socialdemokrat atëherë në detyrë, Stevo Pendarovski. Në zgjedhjet parlamentare VMRO u zgjodh po ashtu forca më e fuqishme parlamentare, e me gjasë kreu i partisë, Hristijan Mickoski do të formojë qeverinë e re. Si presidentja e re, Gordana Siljanovska-Davkova edhe politikanë të VMRO kishin bërë të ditur në zgjedhje, se nuk do të përdornin më emrin e ri zyrtar të vendit por atë të dikurshmin Maqedoni.

Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005. Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Në vitin 2027 socialdemokratët qeverisës arritën një marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit, që në vitin 2019 edhe u zbatua. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit Maqedoni, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Ndryshimi i emrit në Maqedoni e Veriut solli edhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe me këtë edhe hapjen e rrugës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit./DW/

Krizë e papritur në Shkup: Ambasadorja greke ikën nga inagurimi i Presidentes se foli për ‘Maqedoni’

Shkup- Ambasadorja greke Sofia Filippidou, e ftuar në seancën e parlamentit për betimin e Presidentes së re, u largua në shenjë proteste.

Sot në mesditë, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova , ka bërë betimin në një seancë të posaçme të parlamenti. Siljanovska gjatë betimit e quajti vendin e saj “Maqedonia”, edhe pse në tekstin e betimit, të cilin e lexoi kryetari i Kuvendit në largim, Jovan Mitreski, duke i kërkuar presidentes që ta përsëriste, iu referua vendit si ” Maqedonia e Veriut “.

Ambasadorja e Greqisë në Maqedoninë e Veriut, Sofia Filippidou , e ftuar në seancën e Kuvendit për betimin e Gordana Siljanovska-Davkova, u largua në shenjë proteste pas kësaj për faktin se kjo e fundit gjatë fjalës së saj i referohej vendit të vet si “Maqedonia”, duke shkelur kështu Marrëveshjen e Prespës .

Kathimerini: Mitsotakis i shqetësuar për emrin e Maqedonisë së Veriut

Gazeta greke Kathimerini shkroi një ditë më parë se “në vazhdën e fitores zgjedhore nacionaliste të VMRO-së në Maqedoninë e Veriut, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha të shtunën se po ndjek me “shqetësim disa nga deklaratat e bëra nga zyrtarët e partisë” në lidhje me zotimet e tyre për të mos respektuar marrëveshjen e emrit të Prespës të vitit 2018 që zgjidhi mosmarrëveshjen me Greqinë për emrin e shtetit.

“Do të pres qëndrimin zyrtar të ushtruesit të detyrës së Kryeministrit për të parë se si (kryeministri i ri Hristijan Mickoski) do t’i referohet emrit të vendit të tij. Unë personalisht nuk u pajtova me Marrëveshjen e Prespës… Pavarësisht mosmarrëveshjes sime, më duhej ta respektoja atë”, tha Mitsotakis në një intervistë për Alpha TV të shtunën.

“Të njëjtat kërkesa ekzistojnë edhe nga lidershipi i Maqedonisë së Veriut. Unë dua të shpresoj që ajo që është dëgjuar para zgjedhjeve nuk do të dëgjohet pas zgjedhjeve. Nëse kjo ndodh, ne do të kemi probleme”, vuri në dukje ai. /SYRI.NET

Davkova betohet si presidente e Maqedonisë së Veriut

Gordana Silanovska-Davkova gjatë fjalimit të saj inaugurues si presidente e Maqedonisë së Veriut, 12 maj 2024.

 

Isuf Kadriu

Gordana Silanovska-Davkova e ka bërë betimin të dielën si gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut prej pavarësimit të vendit në vitet ’90, pasi i fitoi zgjedhjet presidenciale më 8 maj. Ajo iu referua Maqedonisë së Veriut me emrin e vjetër gjatë ceremonisë.

Davkova e mposhti presidentin e deritanishëm, Stevo Pendarovski, duke fituar dyfish më shumë vota se ai në balotazhin e së mërkurës.

Pasi u betua gjatë një seance para përbërjes në largim të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Davkova, megjithatë, gjatë fjalimit të saj e shmangu fjalën “e veriut” në emrin e shtetit, ashtu siç kishte paralajmëruar gjatë fushatës së saj.

Davkova u betua se “do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë” duke e shmangur emrin kushtetues të vendit, Maqedonia e Veriut.

Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje në Prespë me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.

Ambasadorja e Greqisë në Shkup, Sofia Filipidou, e braktisi ceremoninë e betimit të presidentes në shenjë proteste pse Davkova e përmendi emrin e vjetër “Republika e Maqedonisë” gjatë procesit, sipas deputetit të VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski.

Për protestën e diplomates greke kanë njoftuar edhe mediat greke.

“Ambasadorja e Greqisë në Maqedoninë e Veriut, Sofia Filipidou, e ftuar në seancën e Kuvendit për betimin e Gordana Silijanovska, u largua në shenjë proteste për shkak se gjatë betimit ka shkelur Marrëveshjen e Prespës”, shkroi gazeta greke Prototema.

“Do të jem presidente e të gjithëve, edhe pjesës së majtë edhe asaj të djathtë të Kuvendit; presidente e të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare apo politike”, ka thënë Davkova.

Megjithatë, Davkova, në fjalimin e saj nuk foli për çështje që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të vendit, i cili varet nga ndryshimet kushtetuese bazuar në një marrëveshje me Bullgarinë, por tha se do të punojë për “evropianizimin e vendit së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit”.

Davkova nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë së voni, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese – të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase – ajo do t’i respektonte ato.

Ndërkohë, Davkova tha se tani “është koha për bashkim” dhe për këtë ajo do t’u drejtohej grave, “sepse duam të tregojmë se nuk kujdesemi vetëm për veten, por edhe për të gjithë rreth nesh. Besimi është shumë i rëndësishëm, dhe unë do ta arsyetoj atë.”

Ajo u zotua se kabineti i saj presidencial do të pasqyrojë përbërjen etnike të vendit, “ku do të ketë vend edhe për maqedonasit, shqiptarët dhe përfaqësuesit e entiteteve tjera, ndërsa përzgjedhja e tyre do të bëhet bazuar në kritere profesionale dhe jopartiake”.

Në sallën e Kuvendit ishin përfaqësuesit e të gjitha partive të përbërjes parlamentare para zgjedhjeve të 8 majit.

Cilat janë kompetencat e presidentit të Maqedonisë së Veriut?

Presidenti në Maqedoninë e Veriut ka kompetenca të kufizuara.

Presidenti është komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të vendit. Ai dekreton mandatarin për formimin e Qeverisë së re, emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët, pranon letra kredencialet dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë.

Roli i presidentit është edhe të propozojë dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese si dhe dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor, të propozojë guvernatorin e Bankës Popullore, të caktojë disa drejtues në postet e sigurisë.

Presidenti, gjithashtu, ka të drejtën e faljes në përputhje me dispozitat ligjor si dhe kryen funksione të tjera të përcaktuara me Kushtetutën maqedonase. Radio Evropa e Lirë

Shkup: VMRO dhe VLEN pajtohen për “shtyllat kryesore” të Qeverisë së re

Pamje nga takimi mes delegacioneve të partisë VMRO DPMNE, dhe koalicionit të opozitës shqiptare VLEN, të cilat po bisedojnë për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, 11 maj 2024.

 

Isuf Kadriu

VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN, thanë se kanë arritur pajtueshmëri për “shtyllat kryesore” gjatë një takimi të shtunën për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

Në një komunikatë për media pas takimit në Shkup, këto dy parti njoftuan se takimi mes liderëve partiakë ka zgjatur rreth tre dhe se ata janë pajtuar për parimet e përgjithshme të bashkëpunimit.

“Integrimi evropian, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit do të jenë shtyllat bazë të punës së qeverisë së re”, thuhet në komunikatën e përbashkët pas takimit të mbajtur mes delegacionit të VMRO DPMNE-së, të kryesuar nga Hristijan Mickoski, dhe drejtuesve të koalicionit VLEN, Arben Taravari, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi.

Drejtuesit e dy kampeve politike kanë bërë të ditur se, nga java e ardhshme, bisedimet do të vazhdojnë mes grupeve të punës “për të gjitha çështjet deri në finalizimin e bisedimeve për bashkëqeverisje”.

VMRO DPMNE-ja i fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare më 8 maj dhe në përbërjen e re parlamentare do t’i ketë 58 deputetë nga 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.

Koalicioni opozitar shqiptar VLEN ia doli t’i fitojë 13 ulëse në Parlament dhe drejtuesit e tij kanë thënë se “janë përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve në qeverinë e ardhshme”.

Mickoski pritet që, pas inaugurimit të presidentes së re të shtetit Gordana Silanovska Davkova, ta marrë mandatin për formimin e kabinetit të ri qeveritar.

Ndërkohë, Fronti Evropian, i cili drejtohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) deri tani në pushtet, pretendon se përfaqësuese legjitime e shqiptareve, duke qenë se i ka fituar 19 ulëse në Parlament në zgjedhjet e 8 majit. Pjesë e këtij koalicioni ishin edhe partitë turke, rome dhe boshnjake.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha të shtunën në një mbledhje të Frontit Evropian në Shkup se partitë shqiptare duhet të respektojnë një dokument, që sipas tij, është nënshkruar nga të gjitha partitë se “kusht për pjesëmarrjen në qeverinë e re do të jetë miratimi i ndryshimeve kushtetuese me qëllim vazhdimin e procesin të anëtarësimit të vendit në BE”.

“Ne, partitë politike të nënshkruara më poshtë, duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodhet vendi, ndiejmë detyrimin se jemi të vendosur që tani dhe në të ardhmen të bashkëpunojmë dhe bashkëqeverisim vetëm me ato parti politike që pranojnë të mbështesin ndryshimet kushtetuese për integrimin e vendit në BE”, tha Ahmeti duke prezantuar dokumentin e partive shqiptare. REL

Ish-kryediplomati gjerman: Nacionalizmi i krahut të djathtë triumfoi në RMV, goditje e rëndë për ambiciet e BE-së

Ish-ministri gjerman i Punëve të Jashtme dhe kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, thotë se fitorja e OVMRO-DPMN në zgjedhjet e dyfishta është goditje e rëndë për ambiciet e BE-së dhe se për këtë nuk është përgjegjës vetëm qeveria e mposhtur socialdemokrate, por edhe vendet e BE-së që i evropianizuan problemet dypalëshe dhe i shantazhuan.

“Nacionalizmi i djathtë triumfoi në Maqedoninë e Veriut. Një goditje e rëndë për ambiciet e BE-së. Për këtë nuk është përgjegjës vetëm qeveria e mposhtur socialdemokrate, por vendet e BE-së që evropianizuan problemet dypalëshe dhe i shantazhuan”.

“Nëse ne vazhdojmë me negociatat e anëtarësimit në BE në një mënyrë kaq teknokratike, brezi i ri do të largohet nga Ballkani Perëndimor, nacionalizmi dhe euroskepticizmi do të rriten në mënyrë drastike. Rusia dhe Kina duhet të jenë të lumtura. Më në fund ne kemi nevojë për një rifillim dhe pa bllokime”, ka shkruar Roth në X. bw

VMRO dhe VLEN bisedojnë për formimin e Qeverisë së re

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski (djathtas), përfaqësuesi i koalicionit VLEN, Arben Taravari.

 

Isuf Kadriu

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të përbëhet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, por pjesë e saj mund të jenë edhe parti të tjera opozitare që kanë fituar mandate në zgjedhjet parlamentare, më 8 maj. Kështu kanë bërë të ditur drejtuesit e VMRO DPMNE-së, që fituan zgjedhjet e dyfishta, parlamentare dhe ato presidenciale, me një diferencë të madhe kundrejt Lidhjes Social Demokrate (LSDM).

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se pret që deri më 28 maj të bëhet konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe më pas ta marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, por ai thotë se bisedimet do t’i nisë edhe para këtyre afateve.

“Shumë shpejt do t’i fillojmë negociatat me partitë opozitare për të formuar koalicionin dhe Qeverinë më të mirë për Maqedoninë tonë. Procesi do të jetë transparent. Kam biseduar me drejtuesit e koalicionit VLEN – Bilall Kasamin, kryetarin e Tetovës, dhe Arben Taravarin e Gostivarit. Presim që sa më parë t’i nisim bisedimet për programin e Qeverisë së re. Do të bisedojmë edhe me partitë tjera opozitare… Koha është që BDI-ja, së bashku me LSDM-në, të kalojnë në opozitë. Populli ia dha leksionin më të rëndësishëm Qeverisë [së deritashme] dhe e shpëtoi vendin e tij”, ka deklaruar Mickoski.

Drejtuesit e koalicionit VLEN që mbrëmjen e 8 majit, kur dolën rezultatet e para jozyrtare, thanë se do të jenë pjesë e Qeverisë së re, së bashku me VMRO DPMNE-në.

Një prej drejtuesve të tyre, Bilall Kasami që drejton lëvizja BESA, paralajmëron formimin e grupeve të punës për hartimin e programit të ri qeveritar.

“Ky koalicion do të jetë garantues i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe garantues i të drejtave të shqiptarëve, sepse zgjedhjet treguan se ne kemi marrë mandatin e shqiptarëve që të jemi përfaqësues të tyre dhe të sjellim vendime që janë në të mirë të tyre dhe të të gjithë qytetarëve të vendit, si dhe integrimit në BE. Bazuar në rrethanat dhe rezultatin zgjedhor, ne besojmë se shumë shpejt mund të marrim mandatin dhe të formojmë qeverinë e re”, ka deklaruar Kasami.

VMRO DPMNE-ja, sipas të dhënave preliminare të KSHZ-së, në zgjedhjet e 8 majit ka fituar 58 mandate – dy më pak se gjysma e përbërjes së Parlamentit prej 120 ulëseve.

Koalicioni opozitar shqiptar, VLEN, ka fituar 13 mandate, partia E Majta- 6, aq sa edhe lëvizja ZNAM.

Këto parti, nëse arrijnë të merren vesh për të formuar qeverinë e re, atëherë do të kenë 83 deputetë apo mbi dy të tretat e deputetëve në Kuvend.

Lidhja Social-Demokrate që udhëhoqi vendin në shtatë vjetët e fundit së bashku me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) ka pranuar disfatën pasi në zgjedhje arriti të merrte 18 mandate, por BDI-ja që drejtohet nga Ali Ahmeti me 19 mandatet e fituara pretendon se është përfaqësuese legjitime e shqiptareve.

Kryeministri teknik në largim, Talat Xhaferi, që është nga BDI-ja nuk i ka komentuar qëndrimet e VMRO DPMNE-së dhe të koalicionit VLEN.

“Çështja e mandatit të ardhshëm të qeverisë së ardhshme i takon procedurave, kalkulimit dhe bisedimeve ndërpartiake apo subjekteve që kanë fituar mandate në Kuvend”, ka thënë Xhaferi duke mos iu shmangur pyetjes lidhur me qëndrimin e VMRO DPMNE-së se “BDI-ja do të kalon në opozitë”.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti mbrëmjen e 8 majit i pyetur se çfarë do të ndërmarrë partia e tij nëse mbetet në opozitë, tha se “ shteti më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe…”, që në opinion u interpretua si kërcënim nga ana e tij, nëse VMRO-ja vendos që të mos e ftojë në bisedime për qeverinë e re, si fituese e zgjedhjeve te shqiptarët.

Kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se nuk e përjashton mundësinë që të ketë edhe përpjekje për destabilizim.

“Presim gjithçka. Kemi informacione për gjithçka që flitet dhe planifikohet atje. Neve nuk na mbetet asgjë tjetër, por si qeveri e ardhshme në rast se ka protesta të dhunshme të sigurojmë institucionet dhe sistemi të funksionojë”, ka thënë Mickoski për televizionin maqedonas Kanal 5.

Drejtuesit e VMRO-së në vazhdimësi kanë përsëritur se nga viti 2017 më nuk ekziston parimi “fituesi me fituesin”, një rregull e pashkruar, që kishte të bënte me formimin e qeverive nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të programeve të tyre.

Në zgjedhjet e vitit 2016, VMRO DPMNE-ja kishte fituar zgjedhjet, por pas përplasjeve të shumta, me disa muaj vonesë, në vitin 2017 Qeveria u formua nga LSDM-ja si humbëse e zgjedhjeve te maqedonasit, falë mbështetjes që mori nga partitë shqiptare. Radio Evropa e Lirë

Davkova ia kthen në shqip presidentes Osmani: Uroj ta vazhdojmë bashkëpunimin për të arritur integrimin në BE si synim strategjik

Gordana Siljanovska-Davkova do të jetë presidentja e re e Maqedonisë së Veriut pasi edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ka fituar përballë Stevo Pendarovskit. Për këtë fitore në zgjedhje Davkovën e ka uruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Davkova i është përgjigjur urimit të presidentes së Kosovës, duke thënë se është e lumtur për urimin e sinqertë dhe ka shtuar se ësht ëe lumtur që gratë në rajon po bëjnë histori politike duke udhëhequr pozita kyçe.

Gjithashtu kandidatja që ka fituar zgjedhejt presidenciale, ka thënë se uron që të vazhdohet bashkëpunimi në mes të dy shteteve drejt objektivit për integrim në Bashkimin Evropian dhe për forcimin e raporteve përmes asaj që Davkova e ka quajtur “sinergji “femërore””

“E nderuar Vjosa, më gëzoi urimi Juaj i sinqertë. Jam e lumtur për faktin që gratë në rajonin tonë po bëjnë histori politike, duke qëndruar guximshëm në pozita kyçe. Uroj të vazhdojmë bashkëpunimin tonë edhe në të ardhmen, për të arritur përfundimisht objektivin kryesor strategjik, integrimin evropian të të gjithë rajonit, si dhe për të forcuar marrëdhëniet tona përmes një sinergjie “femërore””, ka shkruar Davkova./Express/

Sot mbushen 9 vjet nga konflikti në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë

Sot mbushen nëntë vjet nga konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë ku jetën e humbën tetë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa rreth dyzetë mbetën të plagosur.

Në konfliktin e armatosur, përveç tetë pjesëtarëve të forcave policore, u vranë edhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Për ngjarjet në “Lagjen e Trimave” nga muaji shkurt 2016 në Gjykatën penale është zhvilluar seancë gjyqësore kundër 29 personave të cilët akuzohen për vepra penale “Organizatë terroriste” dhe “Terrorizëm”. Të gjithë 29 të akuzuarit për rastin e Kumanovës para Gjykatës u deklaruan se nuk ndihen fajtorë.

Rasti më vonë u bashkua me lëndën “Rrufeja” në të cilin u zhvillua proces kundër tetë personave ndihmës të grupit të armatosur nga “Lagjja e Trimave”, me çka numri i të akuzuarve u rrit në gjithsej 37.

Prokuroria Republikane Publike ka ngritur procedurë për të arrestuarit në aksionin në Kumanovë, pasi MPB-ja parashtroi kallëzim penal deri te Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit kundër numrit të caktuar të personave për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.

Nga 37 të akuzuar për “Terrorizëm” dhe “Organizatë terroriste”, 33 persona janë dënuar për veprat, ndërsa për katër persona është sjell aktvendim lirimi.

Gjykata Penale në nëntor 2017 me burg të përjetshëm dënoi Andi Krasniqi-Malisheva, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Bekiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra dhe Fejzulla Rushitovski. Me 40 vjet burg u dënuan komandant Sokoli, Esat Kafexholli, Ardian Bujari, Shefqet Hallaçi, Betim Kabashi, Genci Sefaj, Enver Hoxha Klein, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari, Fatmir Reçica.

Me 20 vjet burg janë dënuar Kenan Isni, Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdia, Landrit Rrustemaj, Mirsad Qerimi. Musadik Pajaziti dhe Ebip Aliji janë dënuar me nga 12 vjet burg. Arsim Bajrami dhe Elham Arifi me nga 13 vjet. 14 vjet iu shqiptuan Seadudin Abdullait, ndërsa 18 vjet Ragmi Latifit. Prej të dënuarve, 19 janë shtetas kosovarë ndërsa të tjerët nga Maqedonia. Vetëm katër persona të akuzuar për logjistikë nga Maqedonia janë liruar tërësisht nga akuzat. Vlerësimi i aktakuzës u bë në fund të vitit 2015 kur për herë të parë, grupi prej 37 të akuzuarve u mblodh në sallën e vogël të Gjykatës Penale. Shqyrtimi kryesor filloi më 10 shkurt 2016. Seancat e para gjyqësore ishin thuajse të heshtura, por në fjalët hyrëse që kishin mundësi t’i japin të arrestuarit, u denoncua likuidimi i Beg Rizajt dhe Mirsad Ndrecajt, por edhe disa pjesëtarëve të grupit, pas arrestimit.

Prokuroria kërkoi burg të përjetshëm për të gjithë 37 të akuzuarit për “Terrorizëm” dhe “Organizatë terroriste”.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në nëntor 2017 pranoi të hapet hetimi ndërkombëtar për rastin “Lagjja e Trimave.” Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se është informuar bashkësia ndërkombëtare dhe se kërkohen mënyrat për zbatimin e hetimit ndërkombëtar për rrethanat e paqarta lidhur me ngjarjet në Kumanovë. sn

VMRO-DPMNE feston fitoren e zgjedhjeve parlamentare dhe për president

VOA/Isak Ramadani

Partia VMRO-DPMNE po feston fitoren e thellë në zgjedhjet parlamentare dhe balotazhin për presidentin e vendit, votime që u mbajtën të mërkurën më 8 maj. Nga rreth 95 për qind e votave të numëruara, kjo parti rezulton të ketë fituar 59 vende në parlamentin prej 120 vendesh. Për formimin qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve.

Ndërkohë, kandidatja e VMRO-së për president, Gordana Siljanovska Davkova mori 520 mijë vota kundrejt 234 mijë votave që mori kandidati social-demokrat Stevo Pendarovski. Ky i fundit ia uroi fitoren zonjës Siljanovska – Davkova, ndërsa kritikoi, siç tha ai, “ata të cilët penguan mijëra qytetarë të marrin fletëvotimet për të votuar në balotazhin presidencial”, me gjasë duke aluduar për Bashkimin Demokratik për Integrim.

BDI-ja me Frontin Evropian duket të ketë siguruar 19 vende në parlament, apo 133 mijë vota, ndërsa koalicioni tjetër shqiptar VLEN, ka marrë 103 mijë vota apo 13 vende në parlament.

Nëse shifrat në fjalë konfirmohen deri në fund të procesit, BDI-ja do të jetë partia e dytë më e madhe në vend, hera e parë në historinë moderne të Maqedonisë së Veriut për një parti shqiptare.

Humbësi më i madh në këto zgjedhje konsiderohet Lidhja Social Demokrate, e cila sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve rezulton të ketë marrë 18 deputetë apo 144 mjë vota në të gjashtë njësitë zgjedhore të Maqedonisë së Veriut.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se ka biseduar me drejtuesit e koalicionit VLEN, Arben Taravarin, Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin dhe të enjten do të nisë takimet për formimin e qeverisë së re. Zoti Mickovski akuzoi BDI-në për përpjekje për bojkotimin e balotazhit presidencial, por siç u shpreh ai: “qeveria ra dhe populli e shpëtoi shtetin”.

“Kriminaliteti, korrupsioni, paaftësia, vlerat e rreme, shteti i kapur, tenderat, nepotizmi, gjëra që bënë shtetin të vuajë dhe popullin të dëshpërohet, sonte u mundën”, tha zoti Mickovski, duke kërcënuar se, “100 persona të BDI-së dhe LSDM-së do të përgjigjen për bëmat e tyre”.

Ai premtoi nga ana tjetër se në 100 ditëshin e parë të qeverisë së tij do të ketë rritje ekonomike dhe investime të huaja.

Ndërkaq, zoti Ali Ahmeti i koalicionit Fronti Evropian nuk pranon të shkojë në opozitë. “Vendit i duhet qëndrueshmëria dhe siguria”, tha ai në një konferencë shtypi me drejtusit tjerë të këtij koalicioni, Ziadin Selën, Menduh Thaçin, etj.

Koalicioni VLEN festoi atë që e quan fitore, në sheshin Skënderbeu në Shkup, por në fakt festa ka të bëjë me hyrjen e tij në kabinetin e pritshëm qeveritar.

Sidoqoftë, fitorja e VMRO-së është e thellë dhe nuk pritet që ajo t’i ofrojë partisë shqiptare një numër të përafërt të ministrive siç kishte BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët në qeverinë me LSDM-në.

Partia “Znam” e kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski ka siguruar 5 vende në parlament dhe ka gjasa të mëdha të hyjë në koalicioni e ri qeveritar. Nëse ndodh kjo, atëherë shumica e pritshme parlamentare do të ketë 77 ligjvënës, shumë afër numrit të dy të tretave. Partia nacionaliste “E Majta” fitoi 6 vende në parlament, që po ashtu vlerësohet një sukses për të, duke patur parasyshë se në mandatin aktual ka vetëm dy ligjvënës.

Glauk Konjufca: S’do doja që shqiptarët e RMV të votonin kandidaten e VMRO për Presidente

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski sot ka qëndruar në shtabin qendror të koalicionit VLEN në Shkup, ku ta takuar ish-kandidatin për president të këtij koalicioni, Arben Taravarin.

Pas publikimit të fotografisë nga shtrëngimi i duarve, në mungesë të informacioneve, lindën shumë pyetje, se për çfarë faktikisht është biseduar në këtë takim, për mbështetje të kandidatës së VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovskës në raundin e dytë apo për marrëveshje të mundshme për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 8 Majit.

Megjithatë, takimi si duket ka kaluar pa i njoftuar mbështetësit e koalicionit VLEN nga Kosova.

Këtë e dëshmon deklarata e Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili gjatë një prononcimi tha se nuk ka qenë në dijeni për këtë takim dhe se nuk do t’u kishte preferuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që ta votojnë kandidaten e VMRO-DPMNE-së për Presidente, pasi që e njëjta ka koncept antishqiptar tha Konjufca.

“Nuk qenkam i informuar për këtë takim. Mirëpo po të besoj, duke supozu që është e vërtetë, ç’ka me thënë… Sa i kam parë unë personalisht, ato konceptet politike që i ka zhvilluar edhe Gordana Siljanovska, ato janë shumë koncepte antishqiptare. Ka një dyshim dmth për popullatën shqiptare atje dhe për të drejtat e saj. Unë jam shumë kundër këtyre koncepteve”, ka thënë Glauk Konjufca për mediat në Prishtinë.

Më tej ai shtoi:

“Unë do të isha kundër çfarëdo le të themi mbështetje të çfarëdo shqiptari për koncepte të tilla. Për arsye se unë i kam dëgjuar ato me vëmendje, është një koncept antishqiptar që e ka shpjegu vetë kandidatja”. 

“Unë nuk do të preferoja kurrfarë opsioni të tillë sepse është në dëm të shqiptarëve”, përfundoi Glauk Konjufca, Kryetar i Parlamentit të Kosovës.

Kandidatja e VMRO-DPMNE-së për president të Maqedonisë së Veriut, Gordana Silnjaovska Davkova zhvilloi një fushatë me retorikë nacionaliste madje duke propozuar edhe formimin e një tribunali për luftën e UÇK-së së vitit 2001.

Inteligjenca maqedonase: Shteti në shënjestër të sulmeve hibride ruse e kineze

Isuf Kadriu

“Ballkani Perëndimor dhe Maqedonia e Veriut janë në shënjestër të sulmeve hibride të sofistikuara, me të cilat udhëheqin Rusia, Kina dhe Irani, duke u përpjekur të realizojnë strategji dhe interesa, të cilat shpeshherë janë komplementare dhe të plotësuara mes vete, por me specifika të caktuara”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Erolld Musliu, drejtor i Agjencisë së Inteligjencës në Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, së fundi janë regjistruar narrativë propagandistikë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

“Agjencia e Inteligjencës ka vërejtur një strategji hibride dhe përdorim selektiv të narrativëve që ngjallin reagime emocionale, duke përdorur çështje të ndjeshme në rajon dhe që marrin vrull veçanërisht gjatë cikleve zgjedhore”, thotë Musliu në përgjigjet me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Në fokus të propagandës, pengimi i integrimit evropian

Maqedonia e Veriut, sipas tij, është në procesin e integrimit evropian, që është i lidhur me ndryshimet kushtetuese, të cilat synohen të pengohen përmes propagandës dhe luftës hibride.

“I gjithë procesi rreth negociatave me Bullgarinë dhe miratimi i kornizës së bisedimeve që përfshin ndryshimet kushtetuese, përcillet me dezinformata me qëllim të manipulimit të opinionit, për të krijuar konfuzion dhe përçarje ndëretnike”, thotë kreu i Agjencisë maqedonase të Inteligjencës.

Sipas Musliut, propaganda e dezinformimit synon rritjen e euro-skepticizmit duke ofruar si alternativë grupin formal tregtar BRICS dhe Bashkimin Euroaziatik, ndërsa zhvillohet kryesisht përmes rrjeteve sociale dhe platformave YouTube dhe TikTok.

Musliu: Kina synon bashkëpunimin me grupe kundër BE-së dhe NATO-s

Megjithatë, Musliu nuk përgjigjet konkretisht nëse Agjencia e Inteligjencës të cilën e drejton ai, ka informacione për ndikimin kinez apo ndoshta financimin e partive politike në Maqedoninë e Veriut me fonde nga Rusia dhe vendet e tjera si Kina dhe Irani.

Ai thotë se Kina, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste ka prioritet bashkëpunimin me persona të caktuar në Maqedoninë e Veriut që janë kundër anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE.

“Edhe pse në shumë vende parti të tilla janë margjinale, është në interesin e Kinës të përhapë narrativë brenda fushatave zgjedhore që janë kundër aleancës strategjike perëndimore dhe mbrojnë një botë multipolare dhe në bashkëpunim me Kinën”, thotë Musliu.

E Majta, në fokus ka orientimin e Maqedonisë së Veriut nga Kina

Partia maqedonase e E Majta, krahas gjuhës maqedonase, programin e saj e ka të përkthyer dhe në gjuhën shqipe, atë serbe, turke, boshnjake, si dhe në gjuhën ruse dhe atë kineze.

Kandidatja e propozuar nga kjo parti, Biljana Vankovska, megjithëse nuk arriti të futet në balotazh, në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit, ajo arriti të marrë rreth 41.000 vota apo 4.56 për qind.

Vankovska, gjatë fushatës presidenciale, duke prezantuar qëndrimet e partisë, ka theksuar se Maqedonia e Veriut duhet të nisë procedurën për largim nga NATO-ja.

Në programin për zgjedhjet parlamentare të partisë E Majta thuhet se kjo parti angazhohet për heqjen e vizave me Kinën, si dhe për ngritjen e marrëdhënieve bilaterale në nivelin e partneritetit strategjik në kuadër të iniciativës 17 +1 dhe mbështetjen e projektit të infrastrukturës miliarda dollarëshe të Pekinit, Nisma Brezi dhe Rruga (BRI).

Te partitë e tjera politike që garojnë për zgjedhjet presidenciale apo ato parlamentare, Kina nuk shihet askund si alternativë.

Nga partia E Majta, për Radion Evropa e Lirë nuk i kanë komentuar pretendimet për lidhjet e saj me Rusinë dhe Kinën.

Kristinovska: Parti të caktuara promovojnë vizionin kinez

Ana Kristinovska, e cila drejton organizatën joqeveritare, Estima, që në fokus ka analizimin e politikave të Kinës, përfshirë këtu dhe qasjen ndaj Maqedonisë së Veriut, thotë se gjatë fushatës zgjedhore nuk vërehet ndonjë ndikim i drejtpërdrejtë i Kinës në mbështetje të ndonjë kandidati apo partie të caktuar me orientim kinez.

“Te ne është partia E Majta dhe kandidatja për presidente shteti që me narrativët për grupin formal tregtar BRICS i promovon pozitat e Kinës dhe vizionin kinez”, thotë Kristinovska.

Ajo thekson se gjatë analizave që ka realizuar, ka vërejtur se media të caktuara publikojnë informacione ku Kina paraqitet në konotacionin pozitiv, gjegjësisht prezantohen bukuritë e këtij shteti duke vendosur jo rrallëherë dhe fuqinë ekonomike.

Lidhur me këtë, drejtori i Agjencisë së Zbulimit, Erolld Musliu, thotë për REL-in se media të caktuara në vend kanë hyrë në “bërthamën e veprimit hibrid” të shteteve që janë rivale të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Janë detektuar aktivitete konkrete në drejtim të ndikimit të politikave redaktuese të mediave dhe portaleve të caktuara. Përmes teksteve të porositura dhe të sponsorizuara, (nëpërmjet së cilave) synohet të krijohet një reputacion për një Kinë si shtet pa të meta”, thotë Musliu.

Ambasada kineze aktive në rrjetin social Facebook

Ambasada e Kinës në Maqedoninë e Veriut është mjaft aktive në rrjetin social Facebook. Faqja e fansave ndan postime nga mediat kineze që shpallin sukseset e Kinës në disa fusha – energji, infrastrukturë, ekonomi apo sport.
Por, shpesh ndodh që rrjeti social Facebook, nën postimet e tilla shkruan se ato vijnë nga “media kineze të kontrolluar nga shteti”.

Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës beson se strategjia kineze funksionon në afat të gjatë, karakterizohet me durim dhe se në rajon dhe në Maqedoninë e Veriut ndikimi i saj është gjithnjë e më i dukshëm dhe më i theksuar.

Në të njëjtën kohë, ai thekson disa forma të veprimit hibrid, duke synuar sferën politike, akademike, arsimore-kulturore, mediatike dhe sektorin joqeveritar.

Kohë më parë , presidenti aktual, Stevo Pendarovski, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se ndikimi kinez në Maqedoninë e Veriut “pa dyshim ekziston” dhe se ai vjen përmes rrjedhave ekonomike.

Pendarovski: Ndikimi kinez vjen nëpërmjet kredive

Megjithatë, Pendarovski bën një dallim për mënyrën se si Kina dhe Rusia janë të pranishme në Maqedoninë e Veriut.

“Ndikimi rus nuk vjen kurrë përmes ekonomisë. Praktikisht nuk kemi investime ruse në Maqedoninë e Veriut. Nuk kemi pasur kurrë. Megjithatë, Kina ka një qasje krejtësisht të ndryshme. Ndikimi kinez vjen nga investimet dhe nga kreditë e lira që jep…”, ka deklaruar Pendarovski.

Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut ka relativisht pak investime kineze.

Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar dy projekte infrastrukturore kineze, konkretisht ndërtimi i autostradës Kërçovë – Ohër, në pjesën perëndimore të vendit dhe Miladinovci – Shtip në pjesën lindore.

Kompania kineze, Sinohydro, figuron si kontraktuese e punimeve të ndërtimit, por ato janë përcjellë me procese gjyqësore dhe dyshime për shpërdorime të ndryshme në mënyrën e realizimit të punimeve që kanë nisur në vitin 2015. Radio Evropa e Lirë

A DO TË KETË MAQEDONIA E VERIUT, PËR HERË TË PARË, KRYETAR TË REPUBLIKËS, GRUA?! – Nga Emir Kurtishi, jurist

REZULTATI NGA RRETHI I PARË ZGJEDHOR
Në Zgjedhjet e 25 majit për Kryetar të Republikës, ku garuan shtatë kandidatë, arritën këtë rezultat zgjedhor: Stevo Pendarovski: 180.500 vota apo 19,92%; Gordana Siljanovska-Davkova: 363.086 vota apo 40,08%; Stevço Jakimovski: 8.121 vota apo 0,90%; Bujar Osmani: 121.088 vota apo 13,37%; Biljana Vankovska Cvetkovska: 41.331 vota apo 4,56%; Arben Taravari: 83.393 vota apo 9,20% dhe Maksim Dimitrievski: 83.856 vota apo 9,26%. Sipas nenit 81 të Kushtetutës së RMV-së, në rrethin e dytë votohet për dy kandidatët të cilët kanë fituar më së shumti vota në rrethin e parë, që do të thotë, se më 8 Maj, kur edhe janë përcaktuar Zgjedhjet për Kryetar të Republikës së bashku me ato Parlamentare, beteja do të zhvillohet mes Stevo Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska-Davkova, dallimi mes të cilëve është 182.586 vota, për dallim nga zgjedhjet e kaluara të mbajtura më 21 prill 2019, ku dallimi në rrethin e parë ishte vetëm 4.606 vota në favor të Stevo Pendarovskit.
RMV-ja përgjatë historisë së saj me Zgjedhjet për Kryetar të Republikës ka parë dallime edhe më të mëdha si ajo e vitit 1994 mes kandidatit Kiro Gligorov dhe Lubisha Georgievski me 516.593 vota; Tito Petkovski dhe Boris Trajkovski në vitin 1999 me 124.508 vota; Branko Crvenkovski dhe Sasho Kedev në vitin 2004 me 64.689 vota, ajo e Gjorge Ivanovit dhe Lubomir Frçkovskit në vitin 2009 ka qenë 142.003 vota dhe ajo e Gjorge Ivanovit me Stevo Pendarovskin 122.935 vota.
Ajo që bie në sy është rezultati i dobët i Stevço Jakimovskit, i cili edhe përkrah që mori 10.000 nënshkrime nga ana e qytetarëve për kandidaturën e tij, në këto zgjedhje nuk arriti që t’i tekalojë më shumë se rreth 8 mijë vota, edhe atë vetëm 2.000 në Komunën e Karposhit, ku është kryetar dhe rritja enorme e Maksim Dimitrievskit, i cili ka shënuar rezultat më të lartë se Arben Taravari, i cili është në koalicion me tre parti politike.

DALJA E VOGËL, FAKT QË DUHET LEXUAR
Për dallim nga viti 2019, kur u shënua edhe dalja më e ulët në historinë e vendit në Zgjedhjet për Kryetar të Republikës, këtë vit ka pasur rritje prej 6.56%. Në këto zgjedhje, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 828.402 votues të regjistruar apo 48,38% dhe natyrisht ky është një fakt që duhet lexuar drejt.
Njëra prej shkaqeve që ka pasur dalje të ulët të votuesve, fillimisht ka të bëjë me vetë personalitetin e kandidatëve dhe me zhvillimin e deritanishëm të politikave të kësaj qeverie. Nga kjo duket edhe humbja e madhe e kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovski, i cili u bë viktimë e politikave të partisë së tij, si pasojë e premtimeve të shumta që nga ardhja në pushtet në vitin 2016 e këndej dhe prej tyre, shumë pak janë realizuar. Andaj, jo rastësisht votat e kësaj partie si shenjë e pakënaqësisë, u kanalizuan tek ish partiaku i tyre, Maksim Dimitrievski.
Çështja tjetër që rezultoi në mosdalje në zgjedhje dhe në goditjen e kandidatit, Pendarovski, kryesisht ka të bëjë Marrëveshja me Bullgarinë dhe disponimi pozitiv për ndryshimet kushtetuese, ku bullgarët do të përfshihen në Preambulën e Kushtetutës së RMV-së, për dallim nga kundërkandidati i tij, Siljanovska-Davkova, që është më e konzervuar në këtë aspekt, e cila vlerëson se këto procese politike, duhet të zhvillohen në kushte të caktuara. Për Kryetarin aktual, Pendarovski, arsyet konsistojnë diku tjetër dhe faji e gjen në numrin e madh të kandidatëve mes të cilëve janë shpërndarë votat e supozuara.
Faktori tjetër, ka të bëjë me situatën e përgjithshme politike, juridike dhe ekonomike në vendin tonë, ku gjithçka e ka humbur sensin e zhvillimit të një jeteje normale. Kriza financiare dhe diferencimi shoqëror është gjithnjë e në rritje.

RMV-JA PËR HERË TË PARË NË HISTORINË E SAJ, DO TË KETË KRYETAR NJË GRUA?!
Republika e Maqedonisë së Veriut, në Zgjedhjet për Kryetar të Republikës të shtatat me radhë, do ta zgjedhë kryetarin e gjashtë me radhë pas Kiro Gligorovit (1991-1999); Boris Trajkovskit (1999-2004); Branko Crvenkovskit (2004-2009); Gjorge Ivanovit (2009-2019) dhe Stevo Pendarovskit (2019).
Funksioni i Kryetarit të Republikës, në përgjithësi ka treguar efikasitet më të madh në kuadër të kompetencave, kur Kryetari i Republikës me Kryetarin e Qeverisë, kanë qenë nga provinienca të ndryshme partiake dhe politike, pra, me rastin e kohabitimit. Kjo mund të vërehet edhe në përdorimin e vetos presidenciale. Përjashtim këtu bën Stevo Pendarovski, i cili së fundmi e përdori veton presidenciale për ta rikthyer Ligjin për Lojërat e Fatit në Kuvend, të propozuar nga partia e tij, LSDM dhe BDI. Kjo mbase e imponon nevojën për gjetjen e një kandidati i cili do të ishte i pavarur dhe mbipartiak për t’i ushtruar kompetencat e tij në mënyrë të pavarur pa qenë i ndikuar nga partitë politike të cilët i promovojnë dhe i zgjedhin. Se sa janë të lidhura me partitë, kjo duket edhe nga deklarata e kandidates aktuale, e cila pas shpalljes së rezultateve nuk harroi ta falënderojë partinë e cila e ka kandiduar dhe anëtarët e saj: “Krenare jam për qytetarët. Jo vetëm për ato që më kanë votuar, por edhe të tjerët. Veçanërisht jam krenare me anëtarët e VMRO-DPMNE-së për shkak të mbështetjes. Krenare jam me ekipin tim, vazhdimisht ka qenë me mua, më brohorisnin, më kritikonin, më këshillonin…”.
Rezultati në rrethin e parë zgjedhor, është një indikator i fuqishëm për atë se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i Republikës, por edhe formuesi i përbërjes së re qeveritare. Vetë fakti që më 8 Maj kemi zgjedhje të dyfishta, kjo do të thotë që kërkohet dhe pritet një pjesëmarrje më e madhe në votime nga ana e qytetarëve, por, ajo që parashikohet është se rezultati mes dy kandidatëve në rrethin e dytë, vështirë se do të jetë i ndryshueshëm. Dallimi i madh i votave, e pasqyron pakënaqësinë e qytetarëve ndaj kësaj Qeverie dhe njëkohësisht e shpërfaq fotografinë e fituesit në rrethin e dytë. Këtë bindje e ndan edhe kandidatja, profesoresha Siljanovska-Davkova: “…veçanërisht jam krenare me gratë në Maqedoni, pavarësisht përkatësisë etnike. Mendoj se është koha për identifikimin e gruas me gruan, pavarësisht cilës parti dhe ideologji i përket. Shumë gëzohem që këto ditë takoj gra nga parti të ndryshme që më thonë se po vjen koha jonë. Nuk do të ndërtojmë matriarkat, por do të tregojmë që kemi në vete dituri, mençuri, energji, kreativitet dhe se është e rendit që kjo shoqëri ta shfrytëzojë krejt këtë…”. Ajo që është e rëndësishme, uroj që mos të ngelë vetëm në nivel të deklaratave, por të dëshmohet edhe në vepra është ajo që e thekson profesoresha në fjalë se do të bashkëpunojë me partinë që e ka mbështetur, por do të bashkëpunojë edhe me opozitën dhe sektorin joqeveritar, për këtë edhe thotë se: “…por, e di se atë që e premtoj edhe e realizoj. Për këtë të jeni të sigurt që ditën e parë… Vazhdimisht kam thirrur në sundimin e së drejtës, por më shumë në nevojën e bashkimit në këtë shtet. Unë do të bashkëpunoj me partinë që më ka mbështetur, por do të bashkëpunoj edhe me opozitën dhe sektorin joqeveritar. Do të tregoj dhe do ta dëshmoj se këtu jam për shkak të Maqedonisë, se dua të jenë krenare me mua, sepse unë do ta tregoj atë se Maqedonia duhet të jetë e ngjajshme me shtetet e tjera demokratike…”. Kjo është shumë me rëndësi nëse arrihet të realizohet edhe pse nga përvoja me këtë parti politike dhe me kandidatin e saj, Gjorge Ivanov, jemi ndarë të pakënaqur, pikërisht për shkak të premtimeve të mëdha për t’u transformuar më pas në një dëgjues dhe nënshtrues të madh ndaj partisë që e kandidoi dhe kundërshtues i hapur i opozitës, duke e thyer baraspeshën politike, si me rastin e mbajtjes së fjalimit në Kuvendin e RMV-së më 18 dhjetor 2012, kur e hidhëroi opozitën e atëhershme, LSDM, e cila krijonte pengesa në Kuvend, përkatësisht e pengonte shumicën parlamentare në sjelljen e Buxhetit për vitin 2013, që pastaj kulminoi me ngjarjen e 24 dhjetorit. Mjafton të merret shembull figura e Gjorge Ivanovit, se si nuk duhet të jetë një Kryetar i Republikës. Duke ju drejtuar opozitës së asaj kohe në lidhje me sjelljen e Buxhetit për vitin 2013 pati thënë: “Nuk mundet e gjithë shoqëria, me të gjitha nevojat e saj, të jetë peng i sjelljes së papërgjegjshme. Nëse do të ndodh, për shkak të sjelljes së papërgjegjshme politike, që Maqedonia të durojë dëm ekonomik, me cilën fytyrë nesër do të dilni që ta kërkoni besimin e qytetarëve”.
Me këtë rast, siç thekson edhe profesori i së drejtës kushtetuese, Svetomir Shkariqi për Gjorge Ivanovin, kjo vlen edhe për kandidaten Gordana Siljanovska-Davkova: “si jurist, me siguri e njeh mekanizmin e funksionimit të demokracisë parlamentare, të përshkruar nga profesori gjerman, Karl Levenshtajn. Si politolog, me siguri shumë mirë e njeh balansin mes opozitës dhe shumicës parlamentare, si dhe të drejtën e opozitës për obstruksionin e paraparë në Rregulloren e Kuvendit. Si intelektual, në mënyrë të përsosur e di se intelektualiteti i një burrështetasi dhe një njeriu të caktuar më tepër tregohet përmes afërsisë së tij me opozitën, sesa përmes mbështetjes së shumicës parlamentare dhe Qeverisë. Pas fjalimit në Kuvend, opozita e vlerësoi paraqitjen e tij me fjalët në vijim: “Ivanovi veproi jo si Kryetari i Shtetit, por, si hije e besueshme e kryeministrit Gruevski”.
Nëse në zgjedhjet e 8 Majit, arrin që ta merr besimin e shumicës së qytetarëve të këtij vendi, kështu duke u bërë kryetarja e parë grua, uroj që të gjitha këto t’i ketë parasysh, e cila jam i bindur se i di më mirë se gjithkush tjetër, sepse është profesoreshë e së drejtës kushtetuese, intelektuale, ashtu që, pritet të gjitha njohuritë e saj t’i zbatojë në pavarësinë e këtij funksioni, të veprojë si Kryetar i Republikës, e jo si hije e besueshme e VMRO-DPMNE-së dhe Mickovskit.

A do të vendosin shqiptarët për presidentin e Maqedonisë së Veriut më 8 maj?

Isuf Kadriu

Kandidatja opozitare Gordana Siljanovska-Davkova e ka fituar bindshëm rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut të mërkurën, dhe do të përballet me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, në raundin e dytë muajin e ardhshëm.

Por, me gjithë fitoren bindëse të Davkovës në rundin e parë, votat e shqiptarëve mund përsëri të luajnë rol kyç në rundin e dytë, sikurse para pesë vjetëve.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Davkova – e cila vjen nga partia opozitare VMRO DPMNE – i fitoi 40.10 për qind të votave, ndërsa Pendarovski nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet, i fitoi 19.93 për qind të votave.

Shtatë kandidatë garuan në rundin e parë, në mesin e të cilëve edhe dy shqiptarë, të cilët nuk ia dolën të fitonin vota të mjaftueshme për ta siguruar balotazhin.

Bujar Osmani nga Fronti Evropian i mori 13.36 për qind të votave, ndërsa Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN 9.21 për qind të votave.

Davkova – duke folur pasi e fitoi rundin e parë – tha se nuk është kundër integrimit evropian të vendit, por se kërkon që integrimi “të mos bëhet duke dëmtuar interesat shtetërore e kombëtare maqedonase”.

Ajo u zotua se, nëse zgjidhet presidente, do të angazhohet për thellimin e bashkëpunimit rajonal, “që vendet e rajonit së bashku të ecin drejt rrugës së integrimit në Bashkim Evropian”.

Kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski, u zotua se do ta vazhdojë betejën në rundin e dytë të zgjedhjeve “për një fitore dhe për realizimin e agjendës evropiane” të Maqedonisë së Veriut.

“Koncepti im është që të jetojmë në një shteti të integruar në BE dhe jo të izoluar. Në një shtet ku nuk do të ketë ndarja dhe i cili do të jetë pjesë e integrimeve euroatlantike”, tha Pendarovski.

Sipas KSHZ, rreth 49 për qind e 1.8 milion shtetasve më të drejt vote e hodhën votën në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mërkurën.

Fitorja e thellë e kandidates opozitare Davkova ishte parashikuar pothuajse në të gjitha hulumtimit e opinionit publik.

Zgjedhjet presidenciale të 24 prillit shihen si test i rëndësishëm për partitë politike, pasi ato u mbajtën pak javë para zgjedhjeve parlamentare të majit.

Sipas vlerësimet të njohësve të çështjeve politike, VMRO DPMNE është pranë fitores së dyfishtë më 8 maj, Presidencës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

VMRO DPMNE-ja është një parti konservatore maqedonase me ideologji demokristiane, e cila ka kundërshtuar Marrëveshjen e Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit Maqedoni në Maqedoni të Veriut, pavarësisht se ky ishte kusht për anëtarësimin e këtij vendi në NATO.

Mbështetësit e partisë opozitare VMRO DPMNE duke e festuar fitoren e kandidates së tyre në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, 24 prill.

Mbështetësit e partisë opozitare VMRO DPMNE duke e festuar fitoren e kandidates së tyre në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, 24 prill.

Ajo kundërshton edhe ndryshimin e Kushtetutës së vendit për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj si popull shtetformues, që është kusht për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Politikat e kësaj partie kanë gjetur mbështetje të gjerë te popullata maqedonase, bazuar në të gjitha hulumtimet e opinionit publik të zhvilluara prej vitit 2018.

Humbja e thellë e LSDM-së në raundin e parë presidencial ka të bëjë edhe me zhvillimet tjera, në veçanti me dështimet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjendjen në gjyqësor, që janë kritikuar në të gjitha raportet e BE-së dhe SHBA-së.

Fitorja e VMRO-së i atribuohet edhe kritikave që kjo ka parti pati ndaj LSDM-së për “lëshimet e shumta” që ka bërë ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të cilën e ka akuzuar për përfshirje në krime të rënda dhe “kapjen e institucioneve shtetërore”.

A do të jetë vota e shqiptarëve vendimtare në rundin e dytë?

Davkova dhe Pendarovski do të përballen në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Davkova ishte kandidate për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019, por humbi në raundin e dytë përballë Pendarovskit, i cili triumfoi falë votave të shqiptarëve të cilët i ndihmuan ta përmbyste epërsinë e Davkovës nga raundi i parë i zgjedhjeve.

Se a do të ketë përmbysje të rezultatit edhe më 8 maj mbetet të shihet, por bazuar në dallimin e thellë të Davkovës prej rreth 180 mijë votave, Pendarovskit i nevojitet mbështetja e dy kandidatët shqiptarë për president, Bujar Osmanit dhe Arben Taravarit, që së bashku kanë siguruar rreth 200 mijë vota.

I pyetur se cilin kandidat do ta mbështesë më 8 maj, Taravari u përgjigj: “Ende nuk kemi vendosur. Si koalicion duhet të ulemi dhe të bisedojmë për këtë çështje”.

Por ai ka marrë një mesazh nga kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili e ka uruar për rezultatin e arritur në zgjedhje dhe i ka shprehur gatishmërinë për të biseduar për pjesëmarrjen e opozitës shqiptare në qeverinë e ardhshme pas 8 majit.

Kandidati i Frontit Evropian, Bujar Osmani, gjithashtu nuk është prononcuar se cilin nga kandidatët do ta mbështesë në raundin e dytë, por ka përsëritur thirrjen për unitet në rrugën e integrimit evropian.

“Të vazhdojmë këtë betejë, të bëhemi bashkë. Edhe ata që kanë dilemën më të vogël t’i bashkohen Frontit Evropian, sepse ai është garanci i së ardhmes së begatë evropiane”, ka deklaruar Osmani.

Në Maqedoninë e Veriut deri në vitin 2017 ka pasur një rregull të pashkruar, që qeveritë formohen nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore.

Bashkimi Demokratik për Integrim, si fituese e zgjedhjeve te shqiptarët ka qenë pjesë e qeverisë si me LSDM-në, ashtu edhe me VMRO DPMNE-në që fitonin zgjedhjet tek elektorati maqedonas.

Ky rregull ka vazhduar deri në vitin 2017 kur qeveria u formua nga LSDM-ja, edhe pse kishte humbur zgjedhjet tek elektorati maqedonas, arriti të përbëjë shumicën parlamentare me votat e partive shqiptare dhe të formojë Qeverinë duke larguar nga pushteti VMRO DPMNE-që drejtohej nga Nikolla Gruevski.

Pas kësaj, VMRO DPMNE-ja disa herë ka bërë të ditur se rregulli “fituesi me fituesin” më nuk do të vlejë. Radio Evropa e Lirë

Maqedonia e Veriut, bashkësponsore e rezolutës për Srebrenicën në OKB

Qendra Përkujtimore Potoçari për viktimat e Srebrenicës.

 

Isuf Kadriu

Maqedonia e Veriut do të jetë bashkësponsore e një rezolute në Kombet e Bashkuara (OKB) për shpalljen e 11 korrikut si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995, tha të hënën ministri i Jashtëm maqedonas, Bujar Osmani.

Rezoluta do të paraqitet më 17 prill para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe do të votohet më 2 maj.

“Në pritje të 30-vjetorit të gjenocidit që do të përkujtohet në vitin 2025, ku humbën jetën të paktën 8.372 njerëz dhe po aq familje u shkatërruan, ne i bëjmë thirrje Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të miratojë rezolutën e mëposhtme për ta shënuar 11 korrikun çdo vit si një ditë ndërkombëtar”, tha Osmani.

Maqedonia e Veriut u bashkohet Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë dhe disa vendeve të tjera si bashkësponsore të kësaj rezolute.

“Dita e Përkujtimit dhe Komemoracionit të Gjenocidit në Srebrenicë nga viti 1995, dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit dhe u bën thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së që t’i ruajnë faktet dhe t’i përhapin ato nëpër sistemin arsimor, duke zhvilluar programe të veçanta për përkujtimin dhe parandalimin e të njëjtit“, ka thënë Osmani.

I pyetur se si pret që kjo të ndikojë në marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Serbinë, duke qenë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se disa vende do t’i quajë partnerë dhe jo miq, Osmani tha se miratimi i rezolutës është veçanërisht i rëndësishëm për Serbinë dhe ai nuk mendon se kjo do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Sipas Ministrisë së Jashtme maqedonase, deri më tani rezoluta është mbështetur nga më shumë se 17 vende, duke përfshirë Slloveninë, Italinë, Lihtenshtajnin, Irlandën, Finlandën, Holandën, Shqipërinë, Turqinë, Jordaninë, Malajzinë, Kilin dhe Zelandën e Re.

Rezoluta, siç tha Osmani, ndër të tjera i referohet Kartës së OKB-së, Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventës për Dënimin e Krimit të Gjenocidit, Rezolutës 827 të OKB-së për themelimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, si dhe tetë dënimeve të gjykatës për krime kundër myslimanëve boshnjakë, përfshirë Ratko Mlladiqin dhe Radovan Karaxhiqin, si dhe vendimin e GJND-së në shkurt 2007 për të cilësuar mizorinë e Srebrenicës si gjenocid.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Beogradi zyrtar, prej vitesh, kundërshton miratimin e rezolutave apo deklaratave që krimin në Srebrenicë e cilësojnë si gjenocid.

Zyrtarët serbë thonë se në Srebrenicë ka ndodhur një krim i tmerrshëm, por nuk pranojnë se ishte gjenocid.

Deri tash, më shumë se 50 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë. Radio Evropa e Lirë

Intervista- Taravari: Nëse nuk i fitoj zgjedhjet, tërhiqem nga politika

Sunçica Stojanovska Zoksimovska

Arben Taravari , kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga koalicioni opozitar VLEN, thotë se e ka prioritet kryesor përshpejtimin e integrimit evropian të vendit.

“Në rast se fitoj në zgjedhje, çështja e parë që do të kërkoja nga mandatari për formimin e Qeverisë së re, pas zgjedhjeve, më 8 maj, do të ishte përshpejtimi i ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, që është kusht për bisedimet e anëtarësimit”, thotë Taravari në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se nga Brukseli do të kërkonte garanci që nuk do të ketë kushte të reja për Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.

Si prioritet tjetër për Taravarin është edhe largimi i Maqedonisë së Veriut nga nisma “Ballkani i Hapur”.

Taravari, kandidati i koalicionit VLEN, në të cilin janë bashkuar partitë opozitare të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, konsideron se karriera, siç thotë ai, e “pastër” politike, pa skandale dhe afera, është përparësi ndaj kundërshtarit të tij të drejtpërdrejtë, Bujar Osmanit nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Taravari, pse qytetarët duhet të votojnë për ju, cili është avantazhi juaj ndaj kandidatëve të tjerë dhe ndaj kundërshtarit tuaj të drejtpërdrejtë, Bujar Osmanit nga BDI-ja?

Arben Taravari: Ne jemi shtatë kandidatë, nga të cilët pesë kandidatë janë maqedonas dhe dy janë shqiptarë. Konkurrenca, sinqerisht, në bllokun shqiptar do të jetë mes meje dhe zotit Bujar Osmani. Shpresoj që qytetarët të kuptojnë se kujt do t’i besonin për të udhëhequr vendin në pesë vjetët e ardhshëm. Qytetarët gjithmonë analizojnë fillimisht programin e një kandidati, çfarë mund të ofrojë ai për pesë vjetët e ardhshëm, cilat janë synimet e tij programore. E dyta është besueshmëria e kandidatëve. Mendoj se nuk kam skandale dhe afera në këto 7-8 vjet që kam qenë në politikë edhe si kryetar i komunës së Gostivarit edhe si ministër i Shëndetësisë. Në anën tjetër, kemi një kandidat që i ka vizituar të gjitha ministritë, ka qenë edhe në Qeverinë e [Nikolla] Gruevskit, e dini si ka përfunduar, pastaj ka pasur një rast në Prokurorinë Speciale Publike (PSP), rasti ‘Pacienti’.

Radio Evropa e Lirë: Si do t’i vazhdojë Maqedonia e Veriut negociatat me BE-në, nëse kusht mbeten ndryshimet kushtetuese? Cili është pozicioni juaj në këtë kontekst?

Arben Taravari: Tashmë është qëndrim i Bashkimit Evropian dhe i Komisionit Evropian se për t’i nisur negociatat, Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese. Dhe ky është një fakt i padiskutueshëm. E thashë edhe në qershor të vitit 2022, kur u miratua propozimi evropian për Marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Bullgarisë – të gjitha ato negociata ishin jotransparente dhe jo gjithëpërfshirëse. Mirëpo, meqë është pranuar dhe ka kaluar në Kuvend, është fakt se nëse duam të fillojmë negociatat, dhe me sa shoh askush nuk thotë se ka një alternativë tjetër, do të duhet të bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe të vazhdojmë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Nëse do të kishte opsione të tjera, atëherë mirë, mund të bisedonim.

Radio Evropa e Lirë: Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, në programin parazgjedhor ka mbrojtur heqjen e “balancuesit”, një mekanizëm për përfaqësim të bashkësive etnike në institucione. Cili është pozicioni juaj, a do ta mbështetnit?

Arben Taravari: “Balancuesi” ka nisur të zbatohet në vitin 2006, pikërisht nga VMRO-DPMNE. Shihni, përfaqësimi i bashkësive etnike në institucione të caktuara para vitit 2002 ishte skandaloz, dhe tani disi është barazuar. Mirëpo, “balancuesi” keqpërdoret, fatkeqësisht jo vetëm nga maqedonasit, por edhe nga shqiptarët, ndodh të keqpërdoret madje edhe nga qytetarët. Nëse mund të gjejmë një mekanizëm tjetër që do të marrë parasysh përfaqësimin e komuniteteve etnike, por edhe sistemin e meritave – do të thotë ata që janë të aftë, kur zgjedhim një maqedonas, le të jetë maqedonasi më i aftë, nëse zgjedhim një shqiptar, le të jetë shqiptari më i aftë. Në vendin tonë përfaqësimi etnik nuk është pengesë, aq sa është fakti që përfaqësimi partiak po mbyt sistemin, veçanërisht administratën. Jemi të hapur për të diskutuar për gjithçka, por duhet të ketë një mekanizëm që do të eliminojë ndikimin partiak dhe unë jam i interesuar për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Si i interpretoni akuzat për ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut?

Arben Taravari: Nuk do të thosha ndikim rus, sepse nuk di për ndikimin rus, nuk kam asnjë provë. Por, e di që ka një ndikim të madh serb në Maqedoninë e Veriut, kjo është e qartë, sidomos përmes “Ballkanit të Hapur”, ndikimi i Serbisë është i madh në shoqërinë maqedonase, po flas në përgjithësi. Duke marrë parasysh që Serbia ka marrëdhënie shumë të mira me Rusinë – ajo është shumë e afërt, ndoshta vendi më i afërt nga Ballkani Perëndimor që është me Rusinë – nëse ka ndikim rus atëherë mendoj se ndikimi rus kalon përmes Serbisë. Dhe se ndikimi serb në Maqedoni është i madh, ky është një fakt i padiskutueshëm, dhe këtë e kam thënë shumë shpesh. Kjo nuk dëmton vetëm maqedonasit apo vetëm shqiptarët, por shtetin në përgjithësi.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, kush mendoni se është promotori i ndikimit serb?

Arben Taravari: Shpesh them se e vetmja periudhë kur ndikimi serb ka qenë më i pakët në vend ka qenë periudha 1998-2002, kur në pushtet ishin Lubço Georgievski [ish-kryeministër] dhe Arben Xhaferi [ish-kryetar i PDSH-së]. Mendoj se kjo qeverisje 22-23 vjeçare e zotit Ahmeti, ndoshta jo drejtpërdrejt, ndoshta në mënyrë naive ose pa e ditur, por ka lejuar që të ketë një ndikim kaq të madh serb në Maqedoninë e Veriut.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë rreziqet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut nga ndikimi i mundshëm rus apo, siç thoni ju, serb?

Arben Taravari: Ne jemi tashmë vend anëtar i NATO-s dhe ky është një parandalim i mirë, një parandalim i mirë për vendin. E shihni që gjithnjë e më shumë politikanë nuk mund të marrin certifikata të caktuara, veçanërisht ata që punojnë në strukturat e sigurisë së shtetit, që janë nën kontrollin e NATO-s. Nuk ka kontroll më të mirë sesa NATO-ja në uljen e ndikimit rus në vend. Pra, ne duhet të vazhdojmë të jemi anëtare e NATO-s, por duhet të përpiqemi të jemi edhe anëtare e Bashkimit Evropian. Sa më shumë të përpiqemi drejt Bashkimit Evropian, aq më pak do të jetë ndikimi, le të themi, nga strukturat që nuk e mendojnë mirë vendin.

Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni luftën e deritanishme kundër korrupsionit?

Arben Taravari: Shikoni, mjafton të analizoni se si jemi renditur nga institucionet ndërkombëtare sipas perceptimit të korrupsionit. Jemi ndër vendet më të këqija në Ballkanin Perëndimor. Pse ekziston korrupsioni? Është pasojë e mosfunksionimit të shtetit ligjor. Thjesht, analizoni besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor… është dy, tre, katër, tetë për qind, që është shqetësuese, realisht. Çfarë duhet bërë? Reformat duhet të fillojnë me zell. Si mund të bëhen reformat? Vetëm me rotacion politik, vetëm me ndryshim pushteti.

Radio Evropa e Lirë: Si do ta përmirësonit situatën në këtë fushë nëse do të zgjidheshit president?

Arben Taravari: Transparenca është mënyra më e mirë për të rikthyer besimin tek institucionet e sistemit. Por, edhe ndikimi i presidentit, e dini, mund të ndikojë vetëm përmes sistemit gjyqësor, atje ku ai zgjedh anëtarë të caktuar të organeve që janë në sistemin gjyqësor. Njerëz profesionistë, të besueshëm dhe persona me kapacitete të larta morale duhet të delegohen nga presidenti.

Radio Evropa e Lirë: Në daljet publike, ish-bashkëpartiaku juaj Zijadin Sela ju ka quajtur “kukull e VMRO-DPMNE-së” dhe se punoni sipas urdhrave të saj. Pse pretendon në lidhjen tuaj me VMRO-DPMNE-në?

Arben Taravari: Unë dhe zoti Sela kemi qenë bashkë për dhjetë vjet. Nuk preferoj të them asgjë të keqe për të, sepse kemi 10 vjet bashkë. Ai mund të thotë çdo gjë…ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Jo publikisht, por edhe privatisht, nuk kam thënë asgjë të keqe, ky është karakteri im. Me njerëz me të cilët kam punuar për një kohë të gjatë, dhe nëse rrugët tona ndryshojnë, unë kam ende njëfarë respekti për të. Koha është prova më e mirë e shumë gjërave. Nuk kam qenë kurrë në jetën time kukull e askujt. Unë nuk e kam lejuar veten të jem kukull e zotit Sela, kështu që nuk mund të jem kukull e VMRO-DPMNE-së, apo e ndonjë partie tjetër. Pavarësisht se kështu mendon ai, koha do të tregojë se kush mendoi më mirë dhe qytetari do të tregojë se kush kishte të drejtë në rastin tonë kur u ndamë.

Radio Evropa e Lirë: A keni marrë ndonjë informacion se kush e la plumbin para derës tuaj?

Arben Taravari: Nuk kam marrë ende asnjë informacion. Fatkeqësisht nuk jam thirrur nga askush, as struktura policore dhe as institucione gjyqësore, të paktën për të ditur se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Kam ndërruar kamerat në shtëpinë time dhe kam vendosur kamera më cilësore që tregojnë tani dhe gjatë natës kur nuk ka dritë për të parë ndonjë lëvizje në shtëpi. Shpresoj që të paktën institucionet e sistemit të më informojnë për atë që ka ndodhur.

I kam hyrë kësaj pune vetëm që të mund të bëj mirë, për të ndihmuar fëmijët dhe nipërit e mi të jetojnë më mirë nesër në këtë vend ku jetojmë. Mund të them që karriera ime politike është nga fundi… Gjithnjë e kam thënë që dhjetë vjet në politikë mjaftojnë. Unë kam tetë vjet që jam në politikë. Shpresoj që në 2-3 vjet të lë pas meje një ekip të mirë që do të vazhdojë dhe me të cilin do të jem krenar, sepse ata do të jenë më të mirë se unë.

Radio Evropa e Lirë: Ju thoni mjaftojnë dhjetë vjet në politikë…do të thotë se nëse nuk fitoni zgjedhjet presidenciale do të tërhiqeni nga jeta politike?

Arben Taravari: Sigurisht, sigurisht. Nëse nuk i fitojmë këto zgjedhje, mendoj se kështu duhet të jetë. Kështu është në të gjithë botën perëndimore, kështu është në të gjitha demokracitë e zhvilluara. Nëse humbisni zgjedhjet, të paktën para autoriteteve partiake… edhe pse pati zhvillime të caktuara në vendin tonë, nuk më lejuan bashkëpartiakët të kaloja të paktën një zgjedhje. Dhe unë u thashë, kërkoj besim nga të gjithë ju. Nja dy cikle zgjedhore deri në 8 maj, nëse nuk fitojmë më 8 maj, unë jam këtu për të dhënë dorëheqjen, dhe nuk do të kishte asnjë forcë që të më ndalonte të jepja dorëheqjen nëse edhe të bashkuar nuk do të fitonim. Dhe kështu do të fitojmë.

Radio Evropa e Lirë: Kur thoni nëse humbim zgjedhjet, keni parasysh zgjedhjet presidenciale apo parlamentare?

Arben Taravari: Si presidenciale ashtu edhe parlamentare, sigurisht. Zgjedhjet presidenciale do të jenë tregues për zgjedhjet parlamentare. Pra, shpresoj t’i fitojmë pa problem.

Radio Evropa e Lirë: Përndryshe, do të jepni dorëheqjen?

Arben Taravari: Ashtu do të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: Cilat do të jenë tre hapat e parë që do të ndërmerrni nëse ndodh skenari tjetër, pra nëse fitoni zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut?

Arben Taravari: Nëse i fitoj zgjedhjet, gjëja e parë që do të bëja do të ishte të shkoja në Bruksel dhe të kërkoja nga politikanët evropianë që të na japin garanci se për vendin nuk do të ketë kushte të tjera për të vazhduar rrugën evropiane. E dyta, kush do të jetë mandatari i ardhshëm, do ta thërrisja, sepse duhet t’i jepet mandati për të formuar Qeverinë, do t’i kërkoja të më jepte një dinamikë për ndryshimet kushtetuese që t’i nisim sa më shpejt bisedimet, që Bukuresht i vitit 2008 të mos përsëritet. Dhe gjëja e tretë, do t’iu kërkoja partive politike dhe Qeverisë që të largohen nga nisma “Ballkani i Hapur”, sepse nuk ka mbetur askush përveç vendit tonë dhe Serbisë.

Përgatiti: Isuf Kadriu

Shkup, policia ndalon një gazetar shqiptar

VOA/Isak Ramadani

Policia maqedonase ndaloi të dielën gazetarin Furkan Saliu, themelues dhe redaktor i portalit X në Shkup. Rrethanat e ndalimit nuk janë shumë të qarta, ndërsa ka pohime për përdorim dhune gjatë ndalimit.

Sipas policisë, gazetari, të cilin e ka identifikuar vetëm me inicialet F.S. dhe moshën (33 vjeç), pas një ndeshjeje futbolli në rrethinën e Shkupit ka sulmuar pjesëtarët e njësisë për ndërhyrje të shpejtë, të cilët po përpiqeshin të mbajnë rendin gjatë ndeshjes që po përshkallëzohej. Këtë e ka konfirmuar më vonë edhe ministri i rendit në qeverinë teknike, Pançe Toshkovski.

Policia kishte ndërhyrë për të qetësuar gjendjen në terrenin sportiv dhe loja ishte ndërprerë, pasi publiku vendas në fshatin Konjare të Mesme kishte tentuar të sulmojë fizikisht lojtarët e ekipit kundërshtar. Policia ka theksuar për një pjesë të medias të afërt me opozitën maqedonase se gjatë ndërhyrjes, dy persona nga publiku kanë tentuar të sulmojnë pjesëtarët e njësisë policore. “Personat që sulmuan policinë janë ndaluar menjëherë; bëhet fjalë për F.S., N.J. nga fshati Haraçinë (i Shkupit), teksa S.B. është ndaluar për shkak të pjesëmarrjes në rrahje”, thekson Ministria e Punëve të Brendshme.

Portalet maqedonase duke iu referuar burimeve policore shkruajnë se gjatë bastisjes së veturës, pronë e F.S.-së është gjetur një revole; se vetura drejtohej nga personi me inicialet F.A. dhe aty ndodhej po ashtu një bashkudhëtar, A.R., të dy nga fshati Kondovë i Shkupit.

Ndërkohë, dëshmitarë në ndeshjen e futbollit u kanë thënë mjeteve të informimit se gazetari Saliu kishte reaguar gjatë arrestimit të një tifozi nga policia. Një dëshmitar që nuk ka dashur të identifikohet për median, ka theksuar se autoritetet policore kanë përdorur dhunë ndaj gazetarit gjatë ndalimit të tij.

Partitë shqiptare të opozitës në Maqedoninë e Veriut dhe shoqatat e gazetarëve kanë reaguar ndaj këtij njoftimi, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetarit Saliu.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) bën thirrje për ndriçimin e menjëhershëm të rastit; “policia të ketë kujdes që të mos i shkelë të drejtat e kolegut Saliu, ndërsa partitë politike të mos përdorin përplasjet ditore në mes tyre për qëllime politike në fushatën zgjedhore”, thuhet në një komunikatë të SHGM-së.

Portali X, ku zoti Saliu është themelues dhe redaktor, e cilëson aktin e policisë si “të dirigjuar në tërësi dhe një trysni ndaj gazetarisë së lirë që e praktikon Portali X”.

Furkan Saliu njihet për qëndrimet e tij kritike jo vetëm ndaj pushtetit por edhe ndaj opozitës maqedonase.

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski i cili është nga radhët e VMRO-së së opozitës thekson në rrjetet sociale se e kupton reagimin e shoqatave dhe sindikatave të gazetarëve, ndërsa thotë se policia reagon njësoj gjatë çdo sulmi ndaj pjesëtarëve të saj. Ai pohon se Furkan Saliu është njëri nga të ndaluarit në ndeshjen e futbollit në Kojnarë të Mesme “për shkak të sulmit ndaj oficerëve të policisë”. “Si ministër jam angazhuar për transparencë dhe llogaridhënie për veprimtarinë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kjo do të vazhdojë kështu, por ligjet e shtetit duhet të vlejnë njësoj për të gjithë”, shkruan ministri Toshkovski në Facebook.

Partitë e koalicionit opozitar shqiptar “VLEN” dhe kandidati i saj për president, Arben Taravari dënojnë arrestimin e gazetarit, që sipas tyre, ka ndodhur në kushte të zbatimit të profesionit të tij. Zoti Taravari shprehet se “Lajmëtari nuk ka faj për lajmin që jep”, ndërsa kërkon lirimin e shpejtë të zotit Saliu.

Ndërkaq, VMRO-DPMNE-ja e opozitës thotë se e dënon çdo sulm ndaj personave zyrtar të MPB-së dhe se kjo duhet të dënohet nga të gjithë. “Nëse konfirmohet kjo, atëherë autori duhet të bartë të gjitha pasojat në pajtim ne ligjt dhe Kushtetutën”, thuhet në një komunikatë të VMRO-DPMNE-së. Partia kërkon ndriçimin e rastit me gazetarin dhe atij t’i respektohen të gjitha të drejtat dhe liria si gazetar.

Shumica e grave në Maqedoninë e Veriut heqin dorë nga trashëgimia e pronës

Në Shkup, vetëm 36 për qind e pronave të paluajtshme janë në emër të grave.

Zërijeta Hajro Jajaga

Statistikat në Maqedoninë e Veriut tregojnë se gratë në shumicën e rasteve heqin dorë nga trashëgimia e pronave familjare, vetëm për të mos prishur raportet me vëllezërit e tyre.

Të dhënat e regjistrit të Kadastrës tregojnë se as çereku i pronave të paluajtshme nuk janë në emër të grave.

Njëra nga gratë që ka hequr dorë nga prona e prindërve është edhe Emine B, për shkak të, siç thotë ajo “të mos më mbyllet dera e shtëpisë së babait” në të cilën tani jeton i vëllai.

“Sapo kam hapur bisedën e trashëgimisë u ndie një frymë e ftohtë, një situatë e tensionuar. E dini i është te familjet shqiptare dhe pas kësaj, nga frika se më mbyllet dera e shtëpisë së babait, tani e vëllait, nuk e kam hapur kurrë bisedën e trashëgimisë”, thotë ajo.

Edhe Lidija Andovska nga Shkupi nuk ka arritur të trashëgojë një pjesë të konsiderueshme të pronës familjare, pasi kështu kishin vendosur prindërit e saj.

“Djali konsiderohej si shtyllë e familjes dhe ai duhej të trashëgonte pronën për të prezantuar forcën, por edhe besueshmërinë e familjes. Personalisht kjo më ka kushtuar shumë, pasi në mungesë të kapitalit fillestar, për dallim nga vëllai im, unë e kam pasur shumë më të vështirë që të ndërtoj biznesin tim si floktare”, thotë ajo.

Për dallim nga dy rastet e para, Arta Mero nga Tetova, ka trashëguar në mënyrë të barabartë me të vëllain, pronën e prindërve.

Mero, e cila ligjëron lëndën e të drejtës trashëgimore, thotë se është përballuar me paragjykime nga rrethi që e ka konsideruar si “motër të keqe që merr hisen e të vëllait”.

“Për më tepër, më ka habitur fakti se kritikat më të mëdha i kam marrë nga nënat dhe vajzat që nuk e arsyetonin verimin tim që në formë të barabartë të ndaj trashëgimin nga babai me vëllain edhe pse vëllai im ka insistuar që unë të marr edhe më shumë pjesë”, thotë Mero.

Ajo thekson se ndarjen e pronës në formë të barabartë e ka mundësuar edukata familjare që gjithçka të ndahet në formë të barabartë që nga fëmijëria, si obligime ashtu edhe të mirat materiale.

Sipas statistikave nga Kadastra, vetëm në qytetin e Shkupit, 36 për qind e pronarëve të pronës së paluajtshme janë gratë. Ndërkaq, në qytete të tjera, sikurse Tetova, Gostivari e Dibra – ku shumica e popullsisë është shqiptare – kjo përqindje është nën 20, sipas të dhënave që i përkasin vitit 2023.

Ligjin për trashëgiminë, gratë dhe burrat trajtohen në mënyrë të barabartë. Sipas ligjit, personat që mund të paraqiten si trashëgues janë: të gjithë pasardhësit e personit të ndjerë që ka lënë prona pas vete, i adoptuari dhe pasardhësit e tij, bashkëshorti ose bashkëshortja, prindërit ë tij, vëllezërit dhe motra dhe pasardhësit e tyre, si dhe gjyshi dhe gjyshja dhe pasardhësit e tyre.

Ndërkaq, organizatat që merren me të drejtat e grave thonë se ende ka shumë punë për t’u bërë që të ngrihet vetëdija e qytetarëve që prona të trajtohet si e drejtë për të dy gjinitë.

“Marrë parasysh faktin që shoqëria shqiptare gjithmonë ka qenë më patriarkale, burrat kanë pozicion dominues në strukturat familjare dhe kjo gjithsesi nuk ka se si të mos ndikojë edhe në praktikat e trashëgimisë”, thotë Rabie Murati, ligjëruese në Universitetin e Tetovës, njëherësh aktiviste për të drejtat e grave.

“Njëherësh, kur bëhet fjalë se pse gratë heqin dorë nga trashëgimia, mund të them se është ai presioni shoqëror që u bëhet grave, përkatësisht atyre që marrin trashëgiminë e të cilat mund të mos pranohen nga rrethi, e të përballen me gjykime dhe njëherësh krijohet edhe një tensionim në raportet familjare”, shton ajo.

Nga aktivistet për të drejtat e grave mosposedimi i pronës nga gratë shihet si problematike, pasi gratë më pas kanë më shumë vështirësi që të krijojë biznese të tyre në mënyrë të pavarur. Organizatat joqeveritare theksojnë se gratë do të fuqizohen në momentin që të jenë të pavarur në aspektin ekonomik. Radio Evropa e Lirë

Partitë maqedonase kundër partive shqiptare për zgjedhjen e presidentit në Kuvend

Isuf Kadriu

Dy partitë kryesore maqedonase, Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet dhe VMRO DPMNE-ja në opozitë, të premten, më 23 shkurt, janë shprehur kundër kërkesës së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet dhe opozitës së bashkuar shqiptare për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut në Kuvend, dhe jo përmes zgjedhjeve të drejtëpërdrejta.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, të enjten gjatë prezantimit të kandidatit të partisë së tij për president, Bujar Osmani, tha se fushata e BDI-së në zgjedhje do të përqendrohet në kërkesën që në të ardhmen presidenti të zgjidhet në Kuvend, ndërsa përveç presidentit të zgjidhet edhe një zëvendëspresident, që do të ishte shqiptar.

Një kërkesë të tillë, të mërkurën, e prezantoi edhe Arben Taravari, kandidati për president i opozitës shqiptare që përbëhet nga katër parti politike.

Veç kësaj, Taravari kërkoi që me Kushtetutë të përcaktohet që një nga tre postet kryesore në shtet t’i takojë shqiptarëve – presidenti, kryetari i Kuvendit apo kryeministri.

Nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, tha se kërkesa e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, nuk do të pranohet asnjëherë pasi paraqet “suspendim të demokracisë”.

“Çdo tentativë për suspendim të demokracisë është vetëm përpjekje për ta nxjerrë popullin jashtë procesit të vendimmarrjes”, tha ai.

Sipas tij, ideja e promovuar nga Ali Ahmeti dhe Artan Grubi është një ide që ata duan “të sundojnë përgjithmonë”.

“Jam i vetëdijshëm se Ali Ahmeti [kryetar i BDI-së] dhe Artan Grubi [zëvendëskryeministër], të cilët e promovuan këtë ide, do të donin të sundonin përgjithmonë në atë mënyrë që të ketë ndikim serioz partiak në zgjedhjen e Qeverisë dhe të presidentit të vendit dhe kjo është jodemokratike, është përpjekje për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin në Maqedoni [të Veriut]”, deklaroi Nikollovski.

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate, njëherësh ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se kërkesa e BDI-së asnjëherë nuk është biseduar as në organet e partisë, e as në takimet me Ahmetin.

Ai ka rikujtuar BDI-së se ndryshimi i Kushtetutës kërkon dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvend, duke bërë me dije se një ide e tillë vështirë se do të mund të kalonte.

“Tani jemi në fushatë zgjedhore dhe do mund të dëgjojmë shumë premtime. Dikush do të premtojë disa gjëra të cilat nuk varen vetëm prej tij. Për shembull, ndryshimi i Kushtetutës kërkon dy të tretat e votave… Deri në këtë moment nuk kemi folur sepse nuk është çështje e diskutimit brenda nesh. Qytetarët në zgjedhje do të tregojnë se çfarë duan sikur edhe numri i deputetëve që partitë do të fitojnë në Kuvend”, ka deklaruar Kovaçevski.

Zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.rel

Osmani prezantohet si kandidat për president të Maqedonisë së Veriut

Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe nënkryetar i BDI-së.

Isuf Kadriu

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), të enjten ka prezantuar Bujar Osmanin si kandidat i kësaj partie në zgjedhjet presidenciale në Maqedonisë së Veriut që do të mbahen më 24 prill.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, nëpërmjet një video-mesazhi teksa ka bërë thirrje për “unitet” për t’i thënë sipas tij, “JO Rusisë, PO Evropës”.

Bujar Osmani aktualisht është ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe nënkryetar i BDI-së.

“Bujari e ka dëshmuar veten në skenën vendore dhe ndërkombëtare dhe ka ngadhënjyer në betejën kundër Rusisë si dhe ka qenë pjesë e ekipit tonë për ndryshimin e Kushtetutës, anëtarësimin në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ahmeti duke e cilësuar Rusinë si kërcënimin serioz për gjithë botën.

Kreu i BDI-së, gjithashtu, ka paraqitur kërkesën për instalimin edhe të postit të zëvendëspresidentit të Maqedonisë së Veriut, që, sipas tij, së bashku me presidentin, në të ardhmen të zgjidhen nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, dhe jo në zgjedhje të drejtpërdrejta.

Ahmeti ka thënë se vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet që Maqedonia e Veriut të ketë president konsensual.

“Me Bujarin po e nisim referendumin më të rëndësishëm të kohës dhe betejën e radhës për ta fituar besimin tuaj që ta zgjedhim presidentin në Kuvend me shumicë të dy të tretave të votave dhe me Badinter, për të realizuar vizionin tonë për president konsensual. Ky besim i juaji do të na mundësojë që me hapjen e Kushtetutës ta realizojmë edhe Marrëveshjen me Bullgarinë dhe ta zhbllokojmë integrimin evropian dhe kështu i themi Rusisë IK!”, ka thënë Ahmeti.

Ndryshimi i Kushtetutës, sipas Ahmetit, duhet të bëhet për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj dhe zhbllokimin e procesit të integrimit në BE.

Ahmeti ka thënë se BDI-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie të ardhshme, e cila nuk do të pranonte ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë s Veriut.

Kërkesa e BDI-së për zgjedhjen e presidentit në Kuvend është e njëjtë me atë të kandidatit të opozitës shqiptare, Arben Taravari, që u prezantua mbrëmjen e së mërkurës.

Veç kësaj, Taravari tha se ndryshimi duhet të përfshijë edhe heqjen e termit “20 për qind” për gjuhën shqipe apo ridefinimin e saj si “gjuhë shqipe”.

“Tani e kemi mundësinë që së bashku të forcojmë demokracinë konsensuale në mënyrë kushtetuese, tani mund të sigurojmë njërën nga tri postet kryesore shtetërore që me automatizëm t’u takojë shqiptarëve si kombi i dytë shumicë në Maqedoni [të Veriut]”, tha kandidati për president i opozitës shqiptare.

Deklaratat e përfaqësuesve politikë shqiptarë në pushtet dhe opozitë, pasojnë momentin kur Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet njoftoi të mërkurën se kryesia partiake ka vendosur që presidenti aktual, Stevo Pendarovski, të jetë kandidat i saj për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill.

Ndërkohë, partia opozitare maqedonase VMRO DPMNE, njoftoi përmes një komunikate se deputetja e kësaj partie, Gordana Siljanovska-Davkova, është e vetmja që ka paraqitur kandidaturën për presidente.

Nëse ajo do të hyjë për herë të dytë në garën presidenciale, do të dihet pas konventës së partisë, më 2 mars.

Kandidaturën për president e ka paraqitur edhe partia E Majta, ndërsa këtë do ta bëjnë edhe disa partia tjera politike.

Zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.

Incident i rëndë në kufirin serbo-maqedonas, efektivët serbë detyrojnë emigrantët të zhvishen

Një video e publikuar në rrjet tregon një grup burrash të zhveshur të cilët në temperatura të ulëta detyrohen të kthehen nga kufiri serb në Maqedoninë e Veriut.

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, kjo është dëshmi e përshkallëzimit të keqtrajtimit të emigrantëve në kufijtë evropianë.

“Legis”, një organizatë joqeveritare e Maqedonisë së Veriut, pretendon se kjo ishte hera e dytë që ndodh një gjë e tillë, brenda 24 orëve.

Ngjarja e parë kishte të bënte me më shumë se 50 persona të cilët u detyruan të zhvisheshin lakuriq ose gjysmë lakuriq nga autoritetet serbe para se të ktheheshin me forcë në Maqedoninë e Veriut.

“Legis” ka thënë se ka mundur të flasë me këta persona, të cilët e kanë identifikuar veten si sirianë.sn

Taravari: Një nga tre postet shtetërore, me Kushtetutë t’i takojë shqiptarëve

Arben Taravari, kandidat i opozitës shqiptare për president të Maqedonisë së Veriut

Isuf Kadriu

Një nga tre postet më të rëndësishme shtetërore në Maqedoninë e Veriut – presidenti, kryeministri apo kryetari i Kuvendit – duhet t’i takojë shqiptarëve dhe kjo duhet të jetë pjesë e Kushtetutës, tha Arben Taravari.

Taravari, që është kandidat i opozitës shqiptare për president të Maqedonisë së Veriut, tha se kjo mund të bëhet me ndryshimin e preambulës së Kushtetutës, përmes një procedure parlamentare.

Në një konferencë për media të mërkurën mbrëma në Tetovë, Taravari tha se ndryshimi i Kushtetutës duhet të bëhet për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën aktuale, që është kusht integrimin e shtetit në Bashkimin Evropian.

Veç kësaj, Taravari tha se ndryshimi duhet të përfshijë edhe heqjen e termit “20 për qind” për gjuhën shqipe apo ridefinimin e saj si “gjuhë shqipe”, si dhe zgjedhjen e presidentit në të ardhshëm nga ana e Kuvendit, dhe jo përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta.

“Tani e kemi mundësinë që së bashku të forcojmë demokracinë konsensuale në mënyrë kushtetuese, tani mund të sigurojmë njërin nga tre postet kryesore shtetërore që me automatizëm t’i takojë shqiptarëve si kombi i dytë shumicë në Maqedoni [të Veriut]”, tha kandidati për president i opozitës shqiptare.

Ai ftoi që programi i tij të mbështetet edhe nga partitë tjera, e në veçanti nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është në pushtet.

Deklarata e tij vjen në momentin kur Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet njoftoi të mërkurën se kryesia partiake ka vendosur që presidenti aktual, Stevo Pendarovski, të jetë kandidat i saj për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 24 prill.

Ndërkohë, partia opozitare maqedonase VMRO DPMNE, njoftoi përmes një komunikate se deputetja e kësaj partie, Gordana Siljanovska-Davkova, është e vetmja që ka paraqitur kandidaturën për presidente.

Siljanovska-Davkova garoi edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2019, të cilat i fitoi Stevo Pendarovski.

Nëse ajo do të hyjë për herë të dytë në garën presidenciale do të dihet pas konventës së partisë më 2 mars.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë bërë të ditur se kryetar i saj, Ali Ahmeti të enjten më 22 shkurt do të njoftojë kandidatin e kësaj partie për president.

Zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.

Bashkohet opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, ka shpallur kandidaturën e tij për president të Maqedonisë së Veriut.

Isuf Kadriu

Partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të shtunën, më 17 shkurt, kanë firmosur deklaratën për bashkimin opozitar shqiptar, të cilin e vlerësojnë si “hap të rëndësishëm drejt unifikimit të partive shqiptare” në këtë shtet.

Koalicioni opozitar do të mbajë emrin “VLEN”, ndërsa deri tani quhej Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN).

“Bashkimi po hedh themelet e një epoke të re mes partive shqiptare në vend, duke shfaqur një unitet të përbashkët për të përballuar sfidat dhe për të ndërtuar një vizion të përbashkët për të ardhmen e shqiptarëve në vend”, thuhet në deklaratën e nënshkruar në Shkup.

Deklarata është nënshkruar edhe nga Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, partia e të cilit mbështet opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Lëvizja Vetëvendosja, që drejtohet nga Kurti, do të ketë anëtarë të saj në listat zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut më 8 maj.

Pjesë e opozitës janë partitë që deri tani përbënin Lidhjen Evropiane për Ndryshim: Lëvizja Demokratike, Alternativa, Lëvizja Besa. Tani pjesë e tyre është edhe Aleanca për Shqiptarët që drejtohet nga Arben Taravari.

Taravari të enjten, më 15 shkurt, shpalli kandidaturën për president të Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet e 24 prillit.

Ai ka mbështetjen e të gjitha partive opozitare dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë s’dua më të përmend kundërshtarë politikë, ne do ta bëjmë betejën politike me një sistem të kalbur 22-vjeçar që i mërgoi shqiptarët, i nënçmoi shqiptarët në çdo aspekt, e prishi dhe shkatërroi të gjithë sistemin e vlerave që ekzistonin te shqiptarët. Prandaj, kundërshtari jonë është sistemi i kalbur. Lëvizja po vjen, Lëvizja do ta sjellë ndryshimin më 8 maj”, tha Taravari.

Para shpalljes së kandidaturës, Arben Taravari dhe përfaqësues të tjerë opozitarë kishin pasur një takim në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku temë debati kishte qenë edhe “nevoja që shqiptarët të dalin me kandidat për president”.

“Me 24 prill, ne do të dëshmojmë dhe demonstrojmë që ky shtet ka dy shumica dhe dhjetëra pakica, dhe ne si shumicë e dytë kemi kapacitet intelektual, njerëzor që të garojmë për president të këtij shteti”, deklaroi Izet Mexhiti, një nga përfaqësues e opozitës shqiptare.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet që drejtohet nga Ali Ahmeti, që do të garojë përballë opozitës, ende nuk ka bërë të ditur nëse do të marrë pjesë me kandidat të tij në zgjedhjet presidenciale apo të mbështesë kandidatin e Lidhjes Social Demokrate, sikur në zgjedhjet e kaluar.

Partitë kanë afat të shpallin kandidaturat për president deri më 19 mars.

Zgjedhjet për president do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.

Tetovë, ndërron jetë ‘Komandant Baci’ i UÇK, Izair Samiu

Izair Samiu nga Shemshova e Tetovës, një nga emrat e mirënjohur të luftërave çlirimtare të UÇK-së, ka ndërruar jetë. Ai ishte i njohur si “Komandant Baci’.

Fillimisht ai ishte pjesëmarrës në Betejën e Koshares, bashkë me vëllanë e tij komandant “Zogun”. Më pas nisën organizimin dhe udhëhoqën edhe luftën e UÇK-së në Malësinë e Tetovës,në vitin 2001.

Komandant ‘Baci’ ishte një nga luftëtarët e dalluar të betejës në rajonin e Tetovës gjatë luftës së 2001.

 

Image

Talat Xhaferi: Vuçiçi ka qëllim të përçajë shqiptarët

Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e veriut, Talat Xhaferi, ka reaguar në lidhje me deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç., që tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po tenton ta rrëzojë nga pushteti BDI-në dhe Ali Ahmetin.

Xhaferi tha se ndërhyrjet nga jashtë janë të shumta, ndërsa theksoi se janë tendencë kundër BDI-së dhe kanë për qëllim të dëmtojnë shqiptarët në Maqedoni.

“Fakti i ndërhyrjeve nuk mund të përkufizohet vetëm te Vuçiçi, fatkeqësisht ka mjaft ndërhyrje siç mund ta ndiqni nga mediat. Është tendencë e koordinuar kundër BDI-së, por jam i bindur që qytetarët mund t’i definojnë qartë këto elemente dhe kjo është propagandë gjoja kundër BDI-së, por në esencë është kundër arritshmërive të shqiptarëve si popull këtu.

Ajo që propagandohet se gjoja po na dilka zot Vuçiçi, mendoj se e kanë të qartë edhe fëmijët në djep se cili është qëllimi i fundit i kësaj përpjekje”, tha mes tjerash Xhaferi.sn

Kryeministri Kurti vizitoi Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup

Shkup, 10 shkurt 2024

Gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, ku mori pjesë në takimin rajonal me udhëheqës të partive simotra të Partisë së Socialistëve Evropian, të organizuar nga Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung (FES),  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup.

Aty, ai u prit nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni të Veriut, Florian Qehaja, nga i cili u njoftua mbi punën e ambasadës, zhvillimet në shtetin pritës dhe nivelin e bashkëpunimit dhe raporteve ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin Qehaja për mikpritjen, teksa shprehu konsideratat e tij për punën e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës në funksion të përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. – Zyra e Kryeministrit

U kërcënua me jetë, reagon Albin Kurti: Rrënjët e tyre janë në Beograd. Forca të shumta policore…

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar në lidhej me kërcënimin me jetë në kohën kur ishte në Maqedoninë e Veriut.

Kurti ka thënë se gjatë qëndrimit në Shkup, nuk është ndier i rrezikuar, por e ka parë se ka pasur shumë forca policore që u përkujdesën për mbledhjen e mbajtur në Shkup.

“Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët kanë rrënjët në Beograd, por unë sapo erdha nga Shkupi këtu. Nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë se kishte shumë forca policore që u përkujdesën për mbledhjen e mbajtur në Shkup”, tha ai.

Më parë RTK raportoi se gjatë qëndrimit të Kurtit në Shkup ka pasur plan për atentat ndaj tij.

Një gjë e tillë, raportohet të ketë ardhur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Mes të tjerash thuhet që janë marrë të gjitha masat e nevojshme në bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut, me të arritur Kurti mbrëmë në Shkup.

Televizioni publik raporton se i është thënë që kërcënimi për jetën e Kurtit ka qenë serioz, “sidomos duke marrë parasysh se kanë ardhur nga disa burime të informacionit”.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe.” – citohet të ketë thënë ky burim. RTK po ashtu raporton se kryeministri Kurti tashmë ka hyrë në Kosovë.

Maqedoni e Veriut, kreu i ASH-së Taravari pro koalicionit me partitë e opozitës shqiptare

VOA/Isak Ramadani

Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari ka vendosur t’i bashkohet opozitës shqiptare në zgjedhjet e pritshme në pranverë. Ai e bëri njoftimin në rrjetet sociale, duke nxitur debate tek një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, por dhe mbështetje nga ana tjetër, tek përkrahësit e tij.

Zoti Taravari u bën thirrje organeve më të larta partiake që ta mbështesë atë në “këtë rrugëtim drejt procesit për ndryshimin e madh dhe të shumëpritur”. Duke shpjeguar motivin për t’iu bashkuar koalicionit opozitar, ai shkruan se ka zgjedhur “të dëgjojë zërin e popullit që sot flet më qartë se kurrë”. “Qytetari po kërkon Ndryshim! Populli po kërkon një sistem politik të çliruar nga epidemia e korrupsionit, që është bërë frenuesi më i madh për mirëqenien dhe zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, sipas zortit Taravari.

Ai doli me këtë vendim të papritur pak ditë pas një takimi të përbashkët në Prishtinë të thirrur nga kryeministri Albin Kurti me drejtuesit e partive të opozitës shqiptare (Lëvizja Evropiane për Ndryshim – LEN) nga Maqedonia e Veriut. Drejtuesit e partive Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratitke që përbëjnë koalicionin LEN, i kishin ofruar atij të kandidonte për garën presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit (raundi i dytë), por kreu i ASH-së i tha medias se nuk ishte i interesuar. Aktualisht ai është edhe kryetar i Komunës së Gostivarit. Vendimi i tij po ashtu pasoi takimin e një dite më parë me partnerët e koalicionit qeverisës, Dimitar Kovaçevski (LSDM) dhe Ali Ahmeti (BDI).

Ndërsa zoti Taravari kërkon besimin nga bashkëpartiakët e tij për të hyrë në garën zgjedhore së bashku me opozitën shqiptare, reagime të ashpra kanë ardhur nga eksponentë kryesorë të partisë. Ish-kryetari i ASH-së, tani Kryetar i Kuvendit Qendror të partisë, Ziadin Sela shkruan po ashtu në rrjetet sociale se nuk ishte i njoftuar për asnjë ofertë për koalicion me ndonjë parti tjetër politike, dhe se as struktura të tjera të partisë nuk ishin në dijeni për diçka të tillë.

“Individi, në këtë rast kryetari i partisë nuk është organ vendimarrës, ka të drejtë të propozojë në organ që ka të drejtë vendimmarrjeje, e kjo është Kryesia e Partisë, që për momentin e ka një vendim e ky është që Aleanca për Shqiptarët garon e vetme në zgjedhje. Organ tjetër vendimarrës është Kuvendi i Partisë. Tendencat e kontrabandimit të partisë për llogari të nuk e di kujt nëpërmjet një statusi në ‘facebook’ është shkelje e rëndë e Statutit të Partisë, për të cilën Kryetari i Partisë duhet të mbajë llogari përpara organeve të saj”, thekson zoti Sela.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës per Shqiptarët, Krenar Lloga, i cili është edhe Ministër i Drejtësisë, i kundërvihet propozimit të kreut te ASH-së. “Në fuqi ka një vendim të Kryesisë Qendrore, i cili është votuar njëzëri për të shkuar të vetëm në zgjedhje. I bëj thirrje Kuvendit të ASH-së që të përmbajë propozimin unanim të Kryesisë i cili është: Aleanca për shqiptarët të dalë e vetme në zgjedhjet parlamentare 2024!” thekson zoti Lloga.

Reagime kundërshtuerse kanë ardhur edhe nga një pjesë e ligjvënësve të ASH-së.

Ndërkohë, vendimi i zotit Taravari ka hasur në mbështetjen e drejtuesve të opozitës shqiptare. Fuqia qëndron në bashkim!”, shkruan në Facebook, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, sipër një fotografie nga takimi me kryeministrin Kurti dhe kolegët e tij nga Maqedonia e Veriut, përfshirë Arben Taravarin e ASH-së.

Edhe Afrim Gashi i “Alternativës” e përshëndet vendimin e zotit Taravari duke thënë se “ai e dëgjoi zërin e shqiptarëve dhe se më 8 maj vjen ndryshimi për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”.

Por një pjesë e analistëve vlerësojnë se ndasitë brenda Aleancës për Shqiptarët për një çështje të rëndësishme siç janë zgjedhjet e pritshme, mund ta dëmtojnë seriozisht partinë.

Mbahet mbledhja e parë e kabinetit të Talat Xhaferit, qeveria flet shqip

 Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka mbajtur mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar, i cili sapo mori votëbesimin e parlamentit.

Në fillim të mbledhjet, Xhaferi iu tha ministrave se do ta zhvillojë seancën në të dyja gjuhët, duke iu kërkuar atyre që të mos vendosin kufje.

Kryeministri uroi të gjithë ministrat për detyrën dhe u shpreh se do të bëjë gjithçka për plotësimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR që zgjedhjet e ardhshme të jenë brenda standardeve.

“Hapjen e seancës do ta bëj në fillim në të dyja gjuhët, nuk ka nevojë për kufje, sepse do të them të njëjtën gjë. Ju mirëpres në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut në seancën e parë konstituive të qeverisë kalimtare të Maqedonisë së Veriut. Para se të kalojmë në miratimin e rendit të ditës, të gjithë anëtarëve të qeverisë, në emrin tim, dëshiroj t’ju përgëzoj për zgjedhjen dhe t’ju uroj punë dhe bashkëpunim të suksesshëm. Para nesh është një detyrë kyçe përgatitja e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira në një atmosferë demokratike. Në këtë kemi obligim të bashkëpunojmë me Parlamentin dhe KSHZ-në dhe me misionin e OSBE/ODIHR-it, me BE-në dhe SHBA-në për të siguruar standardet më të larta evropiane në fushatën zgjedhore dhe vetë zgjedhjet në mënyrë që qytetarët mund të shprehin lirisht vullnetin e tyre”, tha mes të tjerash Xhaferi.sn

Xhaferi zgjidhet kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut

Talat Xhaferi, gjatë fjalimit në seancën ku u zgjodh Qeveria teknike e Maqedonisë së Veriut që ai do të udhëheqë. 28 janar 2024.

 

Isuf Kadriu

Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet.

Për zgjedhjen e ekzekutivit, që ka mandat prej 100 ditësh, votuan 65 deputetë, 3 ishin kundër dhe asnjë abstenim.

Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

Gjatë debatit parlamentar më herët gjatë 28 janarit, Xhaferi prezantoi programin e punës së Qeverisë, e cila do të ketë mandat prej 100 ditësh, për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

Xhaferi, që më herët ka mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit, tha se pa marrë parasysh se sa gjatë do të jetë në krye të Qeverisë, ai do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet, në përputhje me Kushtetutën dhe pritjet e qytetarëve.

“Prioritet i parë do të jetë organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në mënyrë të rregullt dhe demokratike. Për mua si mandatar, pa marrë parasysh nëse do ta drejtoj këtë Qeveri një ditë apo 100 ditë, unë këtë detyrë, këtë përgjegjësi dhe besimin e dhënë do ta kryej me përgjegjësi, ashtu siç kam vepruar edhe me sfidat tjera që ishin para meje. Për asnjë moment nuk do të lëshoj pe nga ajo që nënkupton Qeveri efikase, funksionale dhe përgjegjëse. Unë dhe Qeveria do të vazhdojmë të punojmë për realizimin me sukses dhe efikasitet të plotë të politikave të qeverisë”, tha Xhaferi.

Mandatari për formimin e Qeverisë teknike tha se ekzekutivi që ai do drejtojë, do të mbetet e fokusuar në agjendën evropiane dhe zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe uljen e inflacionit.

“Qeveria do të mbetet e përkushtuar në planin për rritje ekonomike, që është pjesë e planit për zgjerimin e Bashkimit Evropian…Lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të ndalet. Do të jemi transparent në punën tonë dhe me financat publike. Problemet e qytetarëve në nivel lokal, pavarësisht se të cilës komunë i takojnë, do të kenë mbështetjen e plotë të pushtetit qendror”, u shpreh Xhaferi.

Kush është Talat Xhaferi?

Talat Xhaferi u lind më 15 prill 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit.

Ka përfunduar akademinë ushtarake në Beograd dhe Sarajevë. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ka shërbyer si epror i lartë në Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë. Ndërkaq, nga viti 1992 deri më 2001 ka qenë oficer i Armatës së Maqedonisë së Veriut.

Gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi i ishte bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që luftoi për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, Talat Xhaferi u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Nga viti 2004 deri më 2006, ai shërbeu në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

Në zgjedhjet parlamentare në vitin 2008, Xhaferi sërish u zgjodh deputet, ndërkaq në vitin 2013 u emërua ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Nikolla Gruevskit.

Nga viti 2014 deri në vitin 2016 sërish ushtroi postin e deputetit në Kuvendin maqedonas, ndërsa më 27 prill 2017 u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Këtë post Xhaferi e mbajti deri në caktimin si mandatar për formimin e Qeverisë teknike.

VMRO i cilëson “dezertorë” Xhaferin dhe Kovaçevskin

Partia maqedonase në opozitë, VMRO DMPNE, i cilësoi si “dezertorë” Xhaferin dhe ish-kryeministrin, Dimitar Kovaçevski.

Gjatë seancës së 28 janarit deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshoski, tha se qytetarët e Maqedonisë së Veriut “nuk duhet të kenë asnjë pritje nga Talat Xhaferi, ashtu siç nuk patën as nga Dimitar Kovaçevski”.

“Një dezertor iku, një tjetër dezertor po vjen. As ai që u ngrit nga kolltuku dhe as ky që do të ulet në të nuk kanë ndjenja të sinqerta ndaj Maqedonisë andaj sikur edhe Kovaçevski që ishte kryeministri më i keq deri më tani, mos prisni që as Talat XHaferi se do të jetë më i mirë dhe të punojë për shtet të suksesshëm dhe të përparuar”, tha Milloshoski.

Ai akuzoi partitë maqedonase në pushtet se kanë “tradhtuar shtetin e tyre”.

“LSDM-ja dhe partitë tjera të koalicionit, shërbëtorët e besueshëm të BDI-së për shkak të aferave korruptive, sot popullin maqedon e bënë qiraxhi në shtetin e tyre. Ne vend të premtimit për evropianizimin e Maqedonisë, sot këto parti maqedonase, i bënë një nënçmim të madh duke ja ofruar BDI-zimin e shtetit”, tha Milloshoski, deputet i VMRO DPMNE-së.

Ahmeti: Maqedonasit nuk duhet të kenë frikë nga barazia e popujve

Gjatë debatit, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, se maqedonasit nuk duhet të kenë frikë nga “barazia e popujve” që garantohet me Marrëveshjen e Ohrit, që ndaloi konfliktin e armatosur në vitin 2001.

Kjo marrëveshje, sipas Ahmetit, ka sjellë stabilitet në Maqedoninë e Veriut, që tani është “shtëpi e përbashkët e të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në të”.

“Varet nga të gjithë ne nëse këtë shtet do ta çojmë përpara apo do ta kthejmë pas. Këtë ia kam thënë të gjithë partnerëve. Unë punoj për interesa e këtij shteti”, tha kryetari i BDI-së.

Ahmeti kundërshtoi deputetët e opozitës të cilët thanë se “BDI-ja e bëri Maqedoninë shtet qira për maqedonasit, ndërsa ata drejtuan edhe akuza ndaj zyrtarëve të BDI-së për përfshirje në “krim të organizuar dhe korrupsion”.

“Do të doja që ne të mos bëjmë këtu fjalime politike pasi zgjedhjet janë më 8 maj. Nuk duhet të luajnë rolin e gjykatësit dhe prokurorit. Ky është Kuvend ku sillen vendime të mëdha për të ardhmen e vendit, ndërsa për çështjet tjera duhet të merren organet e ndjekjes”, tha Ahmeti.

Ai gjithashtu theksoi nevojën e një uniteti në shtet për të arritur integrimin e tij në Bashkimin Evropian, ndërsa kujtoi rreziqet që vijnë nga Rusia, e cila sipas tij, punon për destabilizimin e rajonit.

“Moska ka uzurpuar Ukrainën. Ka shkelur sovranitetin e Ukrainës, andaj duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë politikash do të udhëheqim”, tha kreu i BDI-së.

Xhaferi në postin e kryeministrit pason Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqje bazuar në Ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që në 100 ditë para zgjedhjeve të zgjidhet një Qeveri teknike, e cila ka mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Pjesë e Qeverisë teknike është edhe partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale. Në ekzekutivin teknik, kjo parti ka edhe tri zëvendëskryeministra, me kompetenca të veçanta.

Ndryshime në postet e tjera ministrore nuk do të ketë. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëheqin ministritë që aktualisht kanë nën drejtim.

Xhaferi në postin e kryeministrit teknik është caktuar nga BDI-ja, e cila seancën e ka cilësuar si “ditë historike”, për shkak se për herë të parë në këtë shtet një shqiptar do të udhëheqë ekzekutivin.

“Kryeministri shqiptar” ishte premtuar nga kryetar i BDI-së në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat u fituan nga Lidhja Social Demokrate, dhe për rrjedhojë kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.

Por, në marrëveshjen për formimin e Qeverisë në vitin 2020, Ahmeti dhe Zaev ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të mandatit, Qeveria teknike të drejtohej nga një kuadër i propozuar nga BDI-ja.

Pavarësisht se u bë pjesë e Qeverisë, VMRO-ja deklaroi më herët se nuk do të votonte për Xhaferin “për shkak të shkeljeve të shumta që ka bërë derisa ishte kryetar i Kuvendit”.

“Ai është njeriu i cili nga fillimi i tij e deri tani në fund si kryetar i Kuvendit ka bërë shumë veprime kundërkushtetuese dhe kundërligjore, pavarësisht se të gjitha iniciativat e ngritura u rrëzuan nëpër gjykatat dhe prokuroritë e kurdisura. Por, një ditë kur ato institucione do të lirohen nga prangat politike, do të ketë përgjegjësi për çdonjërin që ka shkelur ligjet”, ka thënë më herët drejtuesi i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Kundër zgjedhjet së Talat Xhaferit është shprehur edhe opozita shqiptare, e bashkuar në Lidhjen Evropiane për Ndryshim.

Edhe ajo e ka akuzuar Xhaferin për “shkelje të shumta” gjatë punës në cilësinë e kryetarit të Kuvendit maqedonas.

“Talat Xhaferi është zgjedhja më e keqe që ka mund të ofrojë BDI-ja. Pas 20 vjetësh në Qeveri, BDI-së në pozita të larta i kanë mbetur njerëzit më të korruptuar dhe njerëzit që më së shumti i kanë bërë dëm çështjes shqiptare. Derisa ishte në krye të Kuvendit, [Xhaferi] ka udhëhequr vetëm politika të partisë së tij dhe jo ato që ishin në interes të qytetarëve”, ka deklaruar më herët Bilall Kasami, përfaqësues i Lidhjes Evropiane për Ndryshim.

Për votimin e Qeverisë teknike kërkohej që të votonin së paku 61 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Edhe pa votat e VMRO DPMNE-së, shumica aktuale kishte numrin e nevojshëm për të miratuar ekzekutivin e ri.

Vuçiçi në Shkup një ditë para votimit të Kryeministrit shqiptar, flet kundër Kosovës dhe sulmon Parlamentin Evropian

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka marrë pjesë të shtunën në Akademinë për Shën Savën. Atë e kanë pritur Presidenti Stevo Pendarovski dhe Kryeministri në largim Dimitar Kovachevski.

Aty Vuçiq ka folur për popullin maqedon duke thënë se serbët s’kanë popull më të afërt se ta. Nesër në Maqedoni pritet të votohet Qeveria kalimtare e Maqedonisë së Veriut ku në krye të saj do të jetë Talat Xhaferi.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që me maqedonasit të ndërtojmë marrëdhënie sa më të afërta, nuk kemi ( popull), më të afërt Ne nuk kërkojmë asgjë, nuk kërkojmë asgjë, i duam vëllezërit dhe motrat tona maqedonase dhe besoj se kjo marrëveshje, e cila do të hyjë në fuqi më 1 mars, për lejet e përbashkëta të punës dhe tregun e vetëm të punës, do të kontribuojnë në bashkëpunim edhe më të ngushtë”, u tha Vuçiq gazetarëve.

Më tej, ai ka goditur Parlamentin Evropian që po përgatit rezolutë për zgjedhjet e manipuluara në Serbi.

Me këtë rast ka ka përmendur edhe Kosovën duke thënë se pesë shtetet e BE’së nuk po dëgjojnë Parlamentin Evropian për ta njohur atë.

“A e dini cili ishte rekomandimi i fundit i Parlamentit Evropian? Ishte një rekomandim për vendet që nuk e njohën Kosovën e pavarur të njohin Kosovën e pavarur. Imagjinoni sikur t’i dëgjonin Spanja, Greqia, Rumania, Qiproja ose Sllovakia. Për fat, askush nuk po i dëgjon”.

Presidenti serb ka folur për serbët e Maqedonisë së Veriut duke thënë se “së paku dy herë në muaj flet me ta”. Ndërsa, ka theksuar se ata gëzojnë respekt në këtë shtet.sn

Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi do të votohet sot në Kuvend

Në Maqedoninë e Veriut, këtë të diel, më 28 janar, parlamenti i këtij shteti do të hedhë në votim formimin e qeverisë së drejtuar për herë të parë në historinë e vendit, nga një kryeministër shqiptar.

Talat Xhaferi, i cili mbante postin e Kryetarit të Kuvendit, është i propozuar për kryeministër teknik nga Bashkimi Demokratik për Integrim, parti në koalicion qeveritar me LSDM-në.

Kjo bazuar në marrëveshjen e koalicionit mes dy partive që në 100-ditëshin e fundit të mandatit qeverisës, kryeministri të jetë shqiptar.

Nga ana tjetër, VMRO, parti maqedonase në opozitë, deklaroi se do t’i propozojë ministrat dhe zëvendësministrat, por nuk do të votojë pro qeverisë me kryeministër Talat Xhaferin.sn

Maqedoni e Veriut, Talat Xhaferi merr mandatin për formimin e qeverisë

VOA/Isak Ramadani

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ia dorëzoi sot pasdite mandatin për formimin e qeverisë teknike ish-kryetarit të Parlamentit, zotit Talat Xhaferi, ndërsa parlamenti zgjodhi Jovan Mitreskin për kryetar të ri të tij.

Zoti Xhaferi tha se me përgjëgjsi të plotë do t’i zhvillojë bisedimet për formimin e kabinetit të ri qeveritar, që “do t’i përkushtohet mirëqenies së qytetarëve të vendit”.

Talat Xhaferi dje dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Parlamentit për t’i hapur rrugën formimit të qeverisë teknike. I mandatuari Xhaferi pritet që nesër t’ia dorëzojë parlamentit programin dhe listën e emrave të kabinetit të tij.

Por, në të vërtetë, vetëm dy ministra do të jenë të rinj në kabinetin e tij dhe ata janë përfaqësues të VMRO-DPMNE-së opozitare; njëri do të marrë në drejtim Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe tjetri atë të Çështjeve Sociale. VMRO-ja do të ketë edhe tre zëvendës-ministra në kabinetin teknik.

Parlamenti do të mblidhet në seancë të dielën për të debatuar lidhur me programin dhe kabinetin e Talat Xhaferit, ndërsa deri në mesnatën e së dielës pritet të votohet dhe miratohet qeveria teknike.

Zoti Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, megjithëse me një mandat të përkohshëm prej 100 ditësh. Qeveria e tij teknike do të organizojë zgjedhjet e dyfishta: ato parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen më 8 maj.

Kjo do të jetë qeveria e tretë teknike pas marrëveshjes së vitit 2015 që synonte të pengojë manipulet në zgjedhje, duke emëruar përfaqësues të opozitës në kabinetin qeveritar.

Ndërkohë, Parlamenti në Shkup po sot zgjodhi Jovan Mitreskin për kryetar të ri. 43-vjeçari Mitrevski deri tani ka qenë bashkërendues i grupit të deputetëve të Lidhjes Social Demokrate. Ai u zgjodh me 64 votat e shumicës parlamentare, ndërsa 40 ligjvënës opozitarë votuan kundër tij.

Sot i hapet rruga qeverisë teknike në RMV, ‘timonin’ do ta marrë Talat Xhaferi

Ditën e sotme i hapet rruga formimit të qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut që do të drejtohet për herë të parë nga një kryeministër shqiptar. Talat Xhaferi pritet të marrë “timonin” e qeverisë teknike e cila do të merret me organizimin e zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen më 8 Maj.

Këtë të enjte do të japë dorëheqjen nga posti i kryeparlamentarit vetë Talat Xhaferi dhe qeveria e Dimitar Kovaçevskit. Pasi të dorëhiqet kryeministri, do të njoftojë Presidentin e vendit, Stevo Pendarovskin. Pastaj kreut të shtetit i duhet të autorizojë nënkryetarin e Kuvendit që të udhëheqë seancën plenare ku do të dorëzohet dorëheqja e Talat Xhaferit.

Më pas kalohet në etapën tjetër, atë të propozimit të kandidatit për kryeministër. Sërish do të trokitet në derën e Presidentit i cili do të njoftohet për postin e kryeministrit, që në këtë rast është Talat Xhaferi. Më pas, këtij të fundit do t’i jepet mandati për të formuar qeverinë.

Pjesë e qeverisë teknike është edhe partia më e madhe e opozitës, VMRO-DPMNE, e cila ka shfaqur rezerva sa i përket caktimit të një shqiptari në postin e kryeministrit. Kësaj partie i takojnë disa ministri, ku më e rëndësishmja është ajo e Punëve të Brendshme.

Sa i përket qeverisë së re, Klan Macedonia ka mësuar se Artan Grubi do të mbetet zëvendëskryeministër dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

Megjithatë, rolin e zv/kryeministrit të parë do ta marrë Bojan Marçiç, i cili deri më tani ishte zv/kryeministër për çështje europiane.

Qeveria teknike pritet që të votohet më 28 Janar nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut.sn

Vuçiq i ikën gazetarit shqiptar në Shkup, e pyeti pse po e keqtrajtojnë politikanin që bëri homazhe në Prekaz

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjes së një gazetari në Shkup për sjelljen e institucioneve serbe ndaj politikanit serb, Nikola Sanduloviq, i cili u arrestua dhe u keqtrajtua pasi bëri homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Fillimisht gazetarin deshi ta largonte një nga truprojet e Vuçiqit.

“Jo, jo. Pa fotografi!”, i tha ai gazetarit.

“Jemi media”, i tha gazetari shqiptar, Furkan Saliu.

“Është OK, por jo tani”, i tha truproja.

“Z. Vuçiq, përse nuk e mbajtët konferencën e përbashkët sot?”, vazhdoi me pyetjen gazetari.

“Nuk ju kuptoj”, i tha Vuçiqi.

“Përse nuk u mbajt konferenca e pëbrashkët?”, pyeti sërish gazetari.

“Ku ta dijë unë. Pyetni organizatorin”, ia ktheu Vuçiqi.

Më pas, gazetari shqiptar e pyeti për Sanduloviqin.

“Përse kështu silleni me Sanduloviqin?”, i tha ai.

Në këtë moment, Vuçiq u fut në veturë, duke thënë: “Ju duhet të mësoni të silleni më mirë”.sn

“Kërcënimet e sigurisë duhet të ndalen”, Kurti thumbon Vuçiçin nga Shkupi: Liria e mallrave shfrytëzohet për të transportim armësh dhe…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thumbuar president Aleksandër Vuçiç, gjatë fjalës së tij në Samitin Ballkan Perëndimor-BE që po mbahet në Shkup.

Ai është shprehur se mënyra se si rajoni mund të përparojë, është që të ndalen kërcënimet.

Kurti shtoi se normalizimi i raporteve bazuar në njohje reciproke është çelësi për të zhbllokuar potencialin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Për rajonin, që të integrohet ekonomikisht dhe që qytetarët të afrohen, kërcënimet e sigurisë duhet të ndalen. Integrimi i thellë dhe rritja e lëvizjes së mallrave dhe njerëzve kërkon besim reciprok dhe raporte normale. Kjo s’mund të ndodh nëse liria për mallrat shfrytëzohet për lëvizje të armatimit apo për të financuar sulme terroriste. Normalizimi i raporteve bazuar në njohje reciproke mendoj se është çelësi për të zhbllokuar potencialin e rajonit dhe për të rritur mirëqenien e qytetarëve tonë. Anëtarësimi në BE është zgjedhje”, ka thënë kreu i qeverisë së Kosovës.bw

O’Brien, liderëve të Ballkanit: Me planin e BE-së, askush nuk mund të pengojë një palë në avancim

Isuf Kadriu

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka thënë liderëve të Ballkanit Perëndimor se asnjëherë nuk kanë qenë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por që kanë ende punë përpara.

Ai i ka bërë këto deklarata të hënën në nisje të konferencës “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, që po mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.

Zyrtari amerikan i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.

“Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”.

O’Brien ka thënë se mbështetet nismën e një tregu të lirë mes vendeve të rajonit, duke përmendur pengesat që kanë pasur deri më tani bizneset nga ndalesat e shumta kufitare.

Sipas tij, plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake.

“Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.

Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, ka kërkuar angazhim të madh të liderëve të Ballkanit për rrugën përpara.

“Ne i kemi përveshur mëngët që t’ju ndihmojmë. Jam i inkurajuar nga përkushtimi juaj dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qeveritë e rajonit vlerësojnë se ky është një prioritet i lartë, dhe vetëm nëse sigurohen se ndryshimet po ndodhin. Pikërisht, logjika thotë se ne do t’ju ndihmojmë që të integroheni mes vete, nëse ju integroheni në tregun e brendshëm. Vlerësoj se kjo është e një rëndësie absolute, sepse pa një integrim të tillë në rajon, ju thjesht nuk do të mund të shfrytëzoni mjaftueshëm përfitimet nga tregu i brendshëm. Këto janë dy çështje që shkojnë bashkë andaj kemi vendosur një kusht në këtë plan të rritjes e që thotë se ju nuk duhet të bllokoni fqinjët e juaj. Duam të vini me ne. Nëse nuk i bllokoni fqinjët, do t’ju pranojmë, por nëse i bllokoni atëherë nuk do të kemi qasje në tregun e brendshëm, pasi shpenzimet e brendshme nga mosbashkëpunimi janë shumë të mëdha”, ka deklaruar Kopman në konferencë.

Kurti në Shkup: Plani i rritjes ekonomike përshpejton rrugën drejt BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën në Shkup se vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma në Ballkanin Perëndimor, dhe se mbështetja e Bashkimit Evropian, duhet të jetë edhe financiare.

“Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa u përket reformave, aty në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor”, ka thënë shkurt Kurti.

Kurti e ka përmendur se ky plan përshpejton rrugën e Ballkanit drejt BE-së, diçka që sipas kryeministrit të Kosovës është “edhe qëllimi, edhe fati ynë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Nikoqir i takimit është kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ndërsa në të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Përveç tyre, Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen prej Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Ndërsa në mesin e zyrtarëve evropianë është drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman dhe zyrtarë tjerë.

Kryeministri Kovaçevski, ka paralajmëruar miratimin e një deklarate në fund.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se takimet e këtilla janë të rëndësishme për zhvillimin e rajonit.

Vuçiq ka përmendur se në takimin e të hënës në Shkup, për herë të parë po bisedohet vetëm për çështjet ekonomike, duke theksuar se për ato politike ka dallime të mëdha.

Sipas tij, Serbia tashmë ka prezantuar projektet që kanë të bëjnë me projektet ekonomike në kuadër të planit evropian për rritjen ekonomike.

“Sa i përket Serbisë ne e kemi prezantuar planin tonë për rritjen ekonomike për tre vjetët e ardhshëm dhe përputhet me atë që po bëjmë me BE-në. Ne do të bëjmë gjithçka që reformën ta bëjmë që të mund të kemi qasje në mjetet financiare sa më shpejt që të jetë e mundur, së bashku me gjithë të tjerët. Besoj se të gjithë së bashku, duke punuar në këtë plan, do të bëjmë përparim të madh”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian porositi vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk ka më kohë për të pritur që t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre porse kjo duhet të bëhet shpejt, si kusht për të shfrytëzuar mjetet nga plani për rritje ekonomike.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, zhvillojnë dialog në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh.

Përparimi i tyre në dialog është përmendur si kusht për të pasur qasje në këto fonde të BE-së.

Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?

Plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.

Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”.

Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.

Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.

Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”.

FESTA SHQIP E KRISHTLINDJES ORTODOKSE, NGA VITI I ARDHSHËM EDHE NË MANASTIR

Manastir, 7 janar 2024 – Në nderim të festës së Krishtlindjes Ortodokse, sot në Manastir qëndroi një grup studiuesish nga Shkupi e Tetova, i udhëhequr nga drejtori i ITSHKSH, Prof. dr. Skender Asani. Stacioni i parë i kësaj vizite ishte kisha e Shën Dhimtrit, e ndërtuar në vitin 1834, aty ku ishin pagëzuar disa gjenerata të familjes së madhe Qiriazi dhe familjeve të tjera ortodokse shqiptare nga Manastiri dhe rrethina. Oborri i kësaj kishe, ende ruan gjurmët e prezencës së ortodoksisë shqiptare, përmes varreve ku me dekada prehen eshtrat e familjes së gjerë të Qiriazëve dhe të familjeve të tjera ortodokse shqiptare nga ky rajon.

Për të nderuar mysafirët, familja e Oliveri Qiriazit, bashkë me vajzën e vogël Kirijana, kishte shtruar edhe drekën e Krishtlindjes.

Në kalendarin e ngjarjeve të rëndësishme kulturore e shpirtërore të ITSHKSH, nga viti i ardhshëm, pikërisht më 7 janar, do të kremtohet festa shqip e Krishtlindjeve Ortodokse në Manastir, ngjashëm si festa shqip i Krishtlindjes katolike që mbahen për çdo 23 dhjetor.

Ky aktivitet do të përkojë edhe me fillimin e punëve të Departamentit të trashëgimisë kulturore për rajonin e Pellagonisë – “Qiriazët”, bartës i të cilit do të jetë Oliver Qiriazi.

ITSHKSH në kuadër të këtij Departamenti dhe të veprimtarisë së vet hulumtuese-shkencore, do të fokusohet në ndriçimin dhe afirmimin e vlerave të harruara të trashëgimisë kulturore-shpirtërore të ortodoksëve shqiptarë nga rajoni i Pellagonisë dhe jo vetëm.

Studiuesit nga Shkupi dhe Tetova, Dr. Besnik Rameti, udhëheqës i Departmanetit të historisë në ITSHKSH dhe Mr. Ismet Krosi, pedagog në UT, të udhëhequr nga drejtori Prof.dr. Skender Asani, me këtë vizitë në Manastir, në nderim të festës së Krishtlindjes Ortodokse, hapën një shteg të ri në ribërjen e një realiteti të ri kulturor-shpirtëror, duke i dhënë vendin e merituar ortodoksisë shqiptare në Maqoninë e Veriut.

Intervista- Ziberi: Shkelje të shumta të të drejtave të njeriut në Maqedoninë e Veriut

Naser Ziberi, Avokat i Popullit në Maqedoninë e Veriut.

Isuf Kadriu

Maqedonia e Veriut gjatë vitit 2023 ka regjistruar ngecje të shumta sa i përket respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Nuk ka sferë ku nuk ka pasur shkelje, madje në disa prej tyre ka kthim prapa në krahasim me të kaluarën. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Naser Ziberi, Avokat i Popullit në Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, të burgosurit po vuajnë dënimin në mungesë të kushteve elementare dhe kjo nuk përjashton mundësinë e ndonjë përshkallëzimi të situatës nëse nuk ndërmerren masa të shpejta për përmirësimin e kushteve brenda qelive.

Avokati i Popullit thotë se në arsimin fillor nxënësit shqiptarë në disa qytete, përfshirë edhe Shkupin, po privohen nga e drejta kushtetuese për të mësuar në gjuhën amtare, për gjendjen e rëndë në gjyqësor flet më së miri Raporti i Progresit i Komisionit Evropian që ka kritika të shumta, në veçanti për ndryshimet në Kodin Penal që liruan nga ndjekja penale shumë zyrtarë të akuzuar për shpërdorime të shumta.

Problemet sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut janë shtrirë edhe në sferën e arsimit, sipas Avokatit të Popullit.

Përveç problemit me mungesën e teksteve mësimore dhe të programeve cilësore, ai ndalet në çështjen e mohimit të së drejtës kushtetuese për mësim në gjuhën amtare.

Një fushë tjetër ku nuk janë respektuar të drejtat e njeriut, Avokati i Popullit përmend edhe çështjen e përfaqësimit të drejtë të bashkësive etnike, në veçanti të shqiptarëve në postet drejtuese në institucionet shtetërore.

Naser Ziberi

Naser Ziberi

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ziberi, Maqedonia e Veriut gjatë vitit 2023 është përballur me shkelje të ndryshme sa i përket drejtave dhe lirive të njeriut. Cilat janë ato sfera ku, sipas zyrës së Avokatit të Popullit, ka pasur më shumë ankesa?

Naser Ziberi: Në fushën e të drejtave dhe lirive të qytetarëve kemi lënë pas një vit shumë problematik, në shumë drejtime. Fatkeqësisht, Maqedonia e Veriut nuk shënoi ndonjë progres në rritjen e kualitetit në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave, përkundrazi në disa segmente ka shënuar procese retrograde, si në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, në gjendjen e burgjeve dhe në institucionet tjera korrektuese-ndëshkuese, në sferën e arsimit, në sferën e shëndetësisë e kështu me radhë. Për ne, si institucion, ky vit ka qenë i vështirë sepse Parlamenti nuk arriti t’i përmbushë detyrat ndaj institucionit tonë, nuk arriti të bëjë zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit.

U vumë në një situatë që të mos mund të realizojmë programin tonë vjetor për shkak të mungesës së mjeteve financiare pasi na u miratua një buxhet, i cili është nën minimumin e domosdoshëm. Dhe, në fund, nuk arriti të miratojë as ndryshimin e Ligjit të Avokatit të Popullit me të cilin do të krijoheshin parakushtet për një akreditim të statusit të institucionit nacional për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Me një fjalë, viti 2023 ishte një vit i rëndë.

Radio Evropa e Lirë: Sfidë kryesore për institucionet mbetet sundimi i ligjit, respektivisht pushteti gjyqësor që është ndër më të kritikuarit edhe nga institucionet ndërkombëtare. Në të gjitha anketat që janë bërë, qytetarët, problem kryesor kanë me gjyqësorin. Cili është vlerësimi juaj për punën e gjykatave dhe të prokurorive?

Naser Ziberi: Raporti i Komisionit Evropian jep një pasqyrë objektive për situatën që e kemi në gjyqësor. Tashmë ekziston një bindje e padiskutueshme se Maqedonia e Veriut ka degraduar jashtëzakonisht shumë në çështjen që ka të bëjë me sigurimin e sundimit të ligjit dhe të së drejtës, për shkak të situatës në sistemin e jurisprudencës, dhe këtu mendoj për Këshillin Gjyqësor, Këshillin e Prokurorëve dhe organet e tjera gjyqësore.

Situata në një mënyrë u vulos në kuptimin negativ me ndryshimet në Kodin Penal që shkojnë në funksion të amnistimit indirekt të kryesve të veprave penale me pushtet politik. Këto ndryshime kishin të bënin me dispozitat e Kodit Penal që rregullojnë keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Në një situatë të tillë nuk mund të pritej raport më i mirë nga KE-ja.

Dhe, nëse kësaj i shtohet edhe ajo se gjykatat janë të stërmbushura me lëndë, të cilat zvarriten në mënyrë permanente dhe si rezultat i kësaj edhe vjetërsohen, duke u pamundësuar qytetarëve që të arrijnë te drejtësia, kjo sferë mbetet një nga obligimet kryesore të qeverisë së ardhshme dhe Parlamentit të ardhshëm që të merret seriozisht.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët më parë gjendjen e rëndë në burgje. Çfarë të dhënash posedon zyra juaj lidhur me gjendjen në to dhe çfarë masash janë ndërmarrë për përmirësimin e kushteve?

Naser Ziberi: Burgjet janë një plagë e vjetër për Maqedoninë e Veriut, por me kalimin e viteve kjo situatë po degradon dukshëm dhe tani jemi në një fazë kur në çdo moment mund të pritet ndonjë katastrofë në kuptimin e konflikteve mes të burgosurve, mes policisë së burgjeve dhe të burgosurve, arratisje e probleme tjera. Si pasojë e kësaj, Qeveria në qershor u detyrua të shpallë gjendje krize në burgun e Idrizovës që ka thuajse gjysmën e numrit të të burgosurve që vuajnë dënimet në nivel të shtetit. Atje nuk ka kushte minimale hapësinore, shëndetësore, higjienike, mungojnë thuajse të gjitha kushtet që duhet t’i kenë burgosurit.

Standardet ndërkombëtare dhe të vendit parashohin së paku 3-4 metra katror për një të burgosur, kurse në këtë burg në disa segmente nuk ka as një metër katror për një të burgosur. Ata vendosen nëpër dyshemetë e korridoreve, pa kushte minimale higjienike e të mos flasim për kushte të tjera në drejtim të risocializimit të tyre.

Radio Evropa e Lirë: Avokati i Popullit nga afër ndjek edhe çështjen e përfaqësimit të etniteteve në institucionet shtetërore. Ditë më parë ju dolët me të dhëna se ka shënuar rritje punësimi i shqiptarëve në institucione, por mbetet problemi me keqpërdorimin e balancuesit, një mekanizëm që kontrollon punësimet në baza etnike. Si mund të zgjidhet ky problem?

Naser Ziberi: Është fakt që ka rritje në përqindjen e përgjithshme të përfaqësimit të shqiptarëve dhe ky është një trend pozitiv. Por, kjo rritje në numrin e përgjithshëm nuk do të thotë se në të gjitha institucionet është e tillë. Fatkeqësisht kemi disbalancë të madhe, pasi kemi institucione ku përfaqësimi është edhe mbi 50 për qind, por kemi institucione ku përfaqësimi është zero për qind, pra atje nuk ka asnjë të punësuar shqiptar.

Pra, nuk kemi një shpërndarje proporcionale në numrin e të punësuarve.

Çështja e dytë apo problemi tjetër është përfaqësimi në drejtimin e administratës, pra në numrin e përgjithshëm kemi rritje, por kjo nuk ndiqet edhe në pozitat udhëheqëse, që do të thotë se vendet udhëheqëse janë të rezervuara për komunitetin maqedonas.

Problemi i tretë është moszbatimi i balancuesit, një mekanizëm ky që parasheh punësimet në bazë të kritereve etnike. Unë edhe në raportin e vitit të kaluar, por edhe atë të këtij viti kam rekomanduar deri te Ministria e Administratës dhe Shoqërisë Informatike që të punojnë në drejtim të gjetjes së një instrumenti, i cili do ta pamundësojë keqpërdorimin sepse fakt është që jo rrallë herë kjo keqpërdoret me atë që përfaqësues të komunitetit maqedonas deklarohen si shqiptar, rom apo turq dhe e kundërta.

Dhe kjo, jo vetëm që shkel parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, por edhe pamundëson që komunitetet tjera të punësohen në sektorin publik. Fatkeqësisht deri më tani nuk kemi marrë përgjigje se si do të zgjidhet kjo çështje.

Radio Evropa e Lirë: Një çështje tjetër aktuale është ajo me kundërshtimin që po i bëhet mësimit në gjuhën shqipe në arsimin fillor nga popullata maqedonase në disa qytete të vendit, edhe pse bëhet fjalë për një të drejtë kushtetuese. Arsimi u përball edhe me probleme tjera, çfarë do të veçonit?

Naser Ziberi: Në sferën e arsimit kishim një mbarim të vitit shkollor me shumë probleme, duke filluar që nga mungesa e dëftesave, por edhe fillimi i vitit shkollor ishte problematik, me mungesë të librave, me mungesë të hapësirave mësimore.

Nxënës shqiptar duke lexuar në një tekst mësimor në gjuhën shqipe.

Nxënës shqiptar duke lexuar në një tekst mësimor në gjuhën shqipe.

Ajo që posaçërisht është brengosëse, ka të bëjë me pamundësimin e realizimit të së drejtës kushtetuese dhe ligjore për arsimim në gjuhën amtare në disa vendbanime ku shqiptarët nuk janë shumicë siç ishte rasti me shkollën e Idrizovës në Shkup, me disa shkolla në komunën e Velesit, me shkollën e Çashkës e kështu me radhë. Dhe, të gjitha këto shfaqin tendencat e një segregacioni mbi baza etnike që padyshim paraqet një proces jashtëzakonisht retrograd.

Sa i përket të drejtave të fëmijëve viti që shkoi është mbyllur me një rast tragjik – me vrasjen e një nxënëse të një shkolle fillore, rasti me 14-vjeçaren Vanja Gjoshevska.

Radio Evropa e Lirë: Sipas të dhënave që keni prezantuar gjatë vitit, një numër i madh i ankesave kanë të bëjnë edhe me çështjen e çmimeve të konsumit të përditshëm. Për çfarë bëhet fjalë?

Naser Ziberi: Nuk ka gati sferë që nuk janë shënuar probleme serioze e një nga to është edhe ai me shkeljen e të drejtave të konsumatorit për çka flasin edhe ankesat e shumta. Kjo nënkupton se ngritja permanente e çmimeve i ka vendosur qytetarët në një pozitë jashtëzakonisht të rëndë. Në këtë kuadër kemi një situatë të pavolitshme në sferën e zbatimit në ndryshimeve të Ligjit për marrëdhënie obliguese dhe Ligjit për përmbarim.

Një pjesë e madhe e përmbaruesve nuk u përmbahen dispozitave të ligjit që ka të bëjë me fshirjen e kamatave, vjetërsimit të lëndëve dhe kjo bën që qytetarët edhe më tej të keqtrajtohen duke u endur dyerve të përmbaruesve, gjykatave e kështu me radhë.

Talat Xhaferi pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut

Isuf Kadriu

Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, nga 28 janari i vitit të ardhshëm, do të emërohet, Talat Xhaferi, kryetari aktual i Kuvendit në këtë vend.

Ky vendim u bë i ditur nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të premten, pas mbledhjes së kryesisë qendrore të kësaj partie.

Nga BDI-ja thanë se me këtë do të realizohet premtimi i saj për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Talat Xhaferi do të udhëheqë qeverinë teknike, praktikë qysh prej vitit 2016, ndërsa ka për detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.

Zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, sipas marrëveshjes së partive politike, të arritur më 4 dhjetor, do të mbahen më 8 maj. Të njëjtën ditë do të votohet edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, pasi raundi i parë do të mbahet më 24 prill.

Qeveria teknike 100-ditëshe, para zgjedhjeve parlamentare, ishte një marrëveshje mes partive, pas rënies nga pushteti të Nikolla Gruevskit, i cili akuzohej për keqpërdorime të shumta zgjedhore në të kaluarën.

Por, që në krye të qeverisë teknike të ketë një shqiptar, kishte edhe një marrëveshje të tjetër, të arritur më 18 gusht 2020, mes ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Opozita maqedonase, që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, e ka kundërshtuar caktimin e Talat Xhaferit, apo të cilitdo qoftë kuadri tjetër të BDI-së për këtë pozitë, pasi partinë e akuzon për përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion.

Kjo parti kishte propozuar heqjen e Qeverisë teknike dhe që mandati i kryeministrit aktual të vazhdonte deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

VMRO-DPMNE opozitare pritet, gjithashtu, të përfaqësohet në Qeverinë teknike me ministra të Punëve të Brendshme dhe Punës e Politikës Sociale, si dhe me tre zëvendësministra për Financa, për Bujqësi dhe për Shoqëri Informative dhe Administratë. Nuk dihet ende se cilët do të jenë kuadrot e partisë opozitare në qeverinë e re.

Data për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe presidenciale pritet të dekretohet nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi deri në fund të muajit dhjetor.

Postin e kryetarit të Kuvendit në tre muaj e fundit të kësaj përbërjeje pritet ta marrë Jovan Mitrevski, kryetari i grupit parlamentar të LSDM-së.rel


Send this to a friend