Paraqitja e udhëheqësit të Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev në një intervistë për Kuririn e Serbisë, në të cilën deklaroi se, maqedonasit janë vëllezër me Serbët dhe se Kosova është zemra e Serbisë, ka ngjallur shumë reagime në opinion. Deklarata e Zaevit vjen menjëherë pas koalicionimit me BDI-në, deri para koalicionimit ai (Zaev) dukej si një politikan i moderuar por se a ka ndërruar qëndrim Zaev, përgjigjen për gazetën Lajm, gazetari Xhenur Iseni dhe njohësi i çështjeve politike, Qenan Aliu.
Kjo deklaratë e Zoran Zaevit nuk ka të bëjë aspak me atë se tani do koalicionin me BDI-në, mendon gazetari Xhenur Iseni
“Zoran Zaev pas ndodhive të fundit terroriste që ndodhën në Parlament, shihet si personi i vetëm dhe gjithëpërfshirës që është në prag të rrëzimit të një diktature 10 vjeçare të Nikolla Gruevskit, andaj Zaev me këto deklarata po bënë një bilanc duke mos i përjashtuar edhe serbët sepse në fakt do jetë kryeministër i gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, pohoi Iseni.
Iseni mendon se ajo që tha Zaev kishte të bëjë me kishat serbe dhe nuk mendon se ka të bëjë me territorin e Kosovës dhe për këtë nuk duhet të dramatizojmë shumë këtë deklaratë. Kemi TERRORIN para syve dhe kjo është ajo që duhet luftuar me gjitha forcat.
“Mendoj se Zaev me deklaratat e balancuara që besoj se do të vazhdojnë edhe më tutje, dëshiron të paraqitet si një person udhëheqës i përgjithshëm i cili dëshiron ndryshime radikale pa dallim përkatësive etnike dhe ajo përjetohet si simbol i shpëtimit nga kjo qeveri me primate terroriste”, deklaroi Iseni.
“Të kujtojmë që kandidati për President të Maqedonisë nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski gjatë kampanjës presidenciale kishte takim me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi. Kjo tregon se kjo parti respekton institucionet e Kosovës si shtet sovran dhe demokratik”, përfundoi Iseni.
Njohësi i çështjeve politike, Qenan Aliu, thotë se e ka ndjekur intervistën, dhe se nuk e arsyeton Zoran Zaevin. Por duhet bërë një digresion, më duket se nuk pohoi se Kosova është e Sërbisë por Kisha manastiri qenka zemra e Sërbisë.
“Dua të them se politikanët nga njëherë mbajnë llogari dhe sikur përshtaten edhe me frymën e mediumit për të cilin prononcohen për çështje të caktuara. Por pavarësisht asaj ka mundur edhe më ndryshe, pra nuk e arsyetoj dhe më shumë e cilësoj si jo koncentrim kuptohet pas një tronditje që pësoi Zaev në kuvend, mendoj se nuk duhet të merret si provokim. Fundja ai akoma është lider i opozitës dhe intervista ishte në këtë cilësi. Zotin Zoran Zaev unë personalisht do ta kritikoj në vazhdimësi pas 100 ditëve pasi të zgjidhet qeveria e re”, por aktualisht tregoi vendosmëri prandaj i duhej mbështetja morale tha Aliu
Ai veçon se, Zoran Zaev në aspektin e koderimit nuk mund të bëjë vet, apo si parti, duhet debat gjithëpërfshirës dhe vetëdijesim kolektiv
“Ajo që duhet të bëjë kjo qeveri është obligimi primarë të bëjë çkapjen e institucioneve por jo për ti kapur vetë por për ti reformuar për të punuar pa ndikime në pajtim me ligjet. Fundja asnjë shtet nuk ka zemër, por ka territor, popull dhe institucione. Republika e Kosovës i ka të gjitha nishanet e shtetit andaj në territorin e saj nuk mund të ketë zemër të ndonjë shteti tjetër, por mund të ketë vetë frymë të bashkëpunimit reciprok dhe të njohjes dhe respektimit të ndërsjellë”, përfundoi Aliu në deklaratën e tij për Gazetën Lajm.