VOAL

VOAL

Protesta në Kumanovë: Pa lirinë e të burgosurve shqiptarë, nuk kemi festë ne shqiptarët

Protesta në Kumanovë, në ditët e festës së 28 Nëntorit, është përkrahur nga shumë qytetarë.

Kjo protesët sipas organizatorëve bëhet për nder të të burgosurve të ngjarjes së “Lagjes së Kumanovës”.  Në tubimin protestues thuhet se të gjithë shqiptarët që kanë kërkuar liri, drejtësi, barazi, janë burgosur. Përderisa ka të burgosur shqiptarë, të cilët janë të pafajshëm, sot nuk kemi festë. Protesta janë zhvilluar edhe në Prishtinë.Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe veteranëve, që të marrin pjesë në protestë, e cila mbahet kundër dënimit të të dënuarve të Grupit të Kumanovës.

Dhjetëra shqiptarë janë dënuar me burgim të përjetshëm për rastin që ka ndodhur më 10 maj të vitit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Shkup, mbahet akademi solemne për 28 Nëntorin

“Shqipëria dhe populli shqiptar janë përfshirë në një luftë tjetër, për t’u bërë edhe institucionalisht pjesë e Evropës”, tha ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka

SHKUP – Për nder të Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nën patronatin e kryetarit të partisë, Ali Ahmeti, ka mbajtur një akademi solemne e cila tradicionalisht mbahet më 28 nëntor.

Në prani të mysafirëve të shumtë, ministra qeveritarë nga partia e Ahmetit dhe diplomatë nga Tirana dhe Prishtina të akredituar në Shkup, me një fjalë rasti u drejtua ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Fatos Reka, i cili duke folur për kontekstin historik të shqiptarëve, tha se formimi i shtetit të Kosovës së fundmi është një dëshmi e luftës së shqiptarëve për të drejtat e tyre kombëtare.

Sot, tha Reka, Shqipëria dhe populli shqiptar janë përfshirë në një luftë tjetër, për t’u bërë edhe institucionalisht pjesë e Evropës, duke shtuar se fatmirësisht, në këtë rrugëtim ne nuk jemi vetëm, sepse jemi bashkë me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Në këtë rrugëtim të realizimit të synimeve euro-atlantike kemi në krah edhe Maqedoninë, pozita e së cilës gjithnjë e më shumë po forcohet dhe në këtë drejtim ky vend mik, ka mbështetjen e Shqipërisë, sepse në nuk mund të bëjmë vet”, tha Reka për të shtuar se zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbajtura në Maqedoni flasin se vendi është në rrugën e duhur si një shoqëri e shëndoshë multietnike, dhe se mes Maqedonisë dhe Shqipërisë nuk ka çështje të hapura, që më së miri reflektohet përmes mbledhjes së përbashkët të dy qeverive që do të realizohet së shpejti.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në fjalimin e tij, tha se festa e sotme është meritë e veprimtarisë së ilegales shqiptare nga Maqedonia dhe Kosova dhe sakrificës së gjeneratave të kaluara dhe ushtrive Çlirimtare Kombëtare nga historia e mëvonshme, të cilat kanë mbajtur gjallë palcën e kombit.

Megjithatë, tha Ahmeti, pas ndryshimeve si rezultat i luftërave të shqiptarëve dhe ndihmës së NATO-s, SHBA-ve dhe BE-së, përgjegjësinë për të ardhmen e kanë shqiptarët.

“Përgjegjës për të ardhmen jemi vet ne, se si do i drejtojmë gjërat për shtete më të mira, më të organizuara dhe më të përparuara me standarde të cilat ne na afrojnë me BE-në dhe NATO-n. Askush nuk është fajtor që ne mos të ecim përpara, pengesa nuk kemi për arsim dhe shëndetësi më të mirë, sepse vetëm ashtu do ta nderojmë historinë tonë”, tha Ahmeti.

Në solemnitetin e sotëm për aspektin historik të 28 Nëntorit foli historiani Nuri Bexheti, ndëra e tërë akademia u pasuarua më një program artistik. aa

Më 28 Nëntor 2017 Shkupi të jetë Kryeqendra e Përpjekjes për Shqipëri Etnike (Fotot)

Më 28 Nëntor 2017 Shkupi të jetë Kryeqendra e Përpjekjes për Shqipëri Etnike. Kjo është kërkesa e Hyzri Salihut, Koordinator i FBKSH së Shqipëri Etnike –Mërgatë.

Njëkohësisht FKBSH kërkon drejtësi për Grupin e Kumanovës, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të merr “në vetëmbrojtje” pjesëtarët e këtij grupi. Ja deklarata e plotë e FKBSH-së:

Kryesia e Frontit të Bashkimit Kombëtar Shqipëtarë (FBKSH) me rigorozitet ndaj idealit kombëtar, në koherencë me ngjarjen aktuale “Kumanova”, në shërbim të çështjes kombëtare dhe mbrojtjes së të drejtave të shqipëtarëve në ish-Maqedoni, pasi u mblodh me urgjencë të jashtëzakonshme vendosi unanimisht të dalë përpara opinionit mbarëshqipëtar dhe atij ndërkombtarë me këtë Deklaratë si vijon:

Ndëshkojmë pa kompromis genocidin shtetrorë maqedonas ndaj popullsisë shqipëtare të Kumanovës në 09 dhe 10 maj të vitit 2015 duke e konsideruar një terrorizëm shtetrorë të organizuar për qëllim të spastrimit etnik!

Ndëshkojmë vrasjet shtetrorë të policisë maqedone ndaj djemëve Shqiptarë të ndodhur në tokën dhe shtëpin e tyre në kushtet ekstreme të mos kapërcimit të kufijëve të mbrojtjes së nevojshme!

Nuk pranojmë dhe për më tepër kontestojmë kërkesat antinjerzore të prokurorisë sllave-maqedone dhe aq më pak vendimet e padrejta të Gjykatës së këtij shteti artificial ndaj të akuzuarve Shqipëtarë për ngjarjen në fjalë!

Kërkojme nga autoritetet e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare ( bazuar në Nenin nr. 8 pika 1 dhe 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqiperis) të marrin nismën e përbashkët për kërkesën të rishikimit të vendimeve të padrejta e antishqiptare nga gjyqësori maqedonas drejtuar strukturave juridike koompetente të Evropës ku sanksionohen të drejtat e njeriut!

Nëpërmjetë kësaj deklarate, ju bejmë me dije se: në rast se të drejtat e “djemëve” Shqiptarë viktima të kinse drejtësisë maqedone nuk do të përfaqsohen denjësisht nga organet shtetrore të dy shteteve Shqiptarë, atëherë FBKSH është e legjitimuar të marrë nën vetmbrojtje të drejtat e tyre me të gjitha mënyrat! KRYESIA E FBKSH Kryetar: Jurist, Ibush Hetemi Sekretar Politik: Av. Genc Llakaj Koordinator :Prof Hyzri Salihu


Kërçovë, varrosen mbetjet mortore të viktimave shqiptare nga masakrat e shekullit të kaluar

“Nuk mund të ketë pajtim pa një rezolutë të aprovuar në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë”, u shpreh Ahmeti

KËRÇOVË – Në Qendrën Përkujtimore “Nëna Shqiptare” në fshatin Zajaz të Kërçovës u varrosën mbetjet mortore të viktimave shqiptare nga masakrat nga viti 1913 dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat u gjetën në disa varreza masive në këtë qytet.

Varrimi i mbetjeve mortore u mundësua nga Këshilli Organizativ për zbulimin e krimeve ndaj shqiptarëve në shekullin e kaluar, me mbështetjen e kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, si iniciator i aktiviteteve për zbardhjen e krimeve gjenocidale ndaj shqiptarëve.

Kohë më parë, në fshatin Zajaz dhe në vende tjera në Kërçovë u zbuluan varreza masive të viktimave nga masakrat ndaj shqiptarëve nga viti 1913 dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore.

Ahmeti, i cili u adresua para të pranishmëve, tha se “banda çetnikësh të organizuara nga ideologji shfarosëse me shpërbërjen e Perandorisë Osmane vërshuan në hapësirat shqiptare”, duke ushtruar siç tha ai, gjenocid për herë të parë në Evropë.

“E kaluara të mos na përsëritet. Mbase ky apel del nga zemra e një njeriu që është masakruar barbarisht, mbi 60 anëtarë të familjes. Ky apel del nga zemra e zhuritur që duhet dëgjuar dhe lexuar nga të gjithë popujt e Evropës, e aq ma shumë nga popujt fqinj. Aq më shumë duhet dëgjuar nga të gjithë ata njerëz që duan paqen, stabilitetin dhe sigurinë se ne nuk duam të na përsëritet e kaluara, por ajo e kaluar nuk duhet harruar dhe ne se harrojmë. Ky apel duhet të trokasë edhe tek bashkëqytetarët maqedonase, sepse edhe ata kanë njerëz të vrarë e të masakruar”, deklaroi Ahmeti.

Kreu i BDI-së apeloi që edhe maqedonasit të solidarizohen dhe të dënojnë gjenocidin që është ushtruar mbi shqiptarët, por edhe mbi ata. Ai theksoi se dora për maqedonasit do të jetë gjithmonë e zgjatur, që bashkërisht, shqiptarët dhe maqedonasit, të solidarizohen deri në përpilimin e një dokumenti ku do të dënohet gjenocidi i ushtruar mbi shqiptarët. “Nuk mund të ketë pajtim pa një rezolutë të aprovuar në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë”, u shpreh Ahmeti.

Në varrimin e mbetjeve mortore, përveç përfaqësuesve shqiptarë në institucionet e Maqedonisë, të Shqipërisë dhe Kosovës, të bashkësive lokale e fetare, të pranishëm ishin edhe ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Hazbi Lika, kryetari i komunës Skenderaj të Kosovës, Bekim Jashari, kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi, si dhe shumë mysafirë të tjerë.

Ministri Majko, theksoi se sot shqiptaria e Maqedonisë nuk ka në krah të vet vetëm Shqipërinë, por ka dy binjakë, Shqipërinë dhe Kosovën. “Ne duam paqe. Nëse na ofrojnë paqe, paqe do të ketë”, tha ai.

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, tha se institucioni që drejton ai i bashkohet kësaj iniciative për zbardhjen e krimeve gjenocidale ndaj shqiptarëve. Ai paralajmëroi se të premten e ardhshme do të dërgojnë një qarkore tek të gjitha myftinitë e BFI-së në Maqedoni, me qëllim që çdo xhami në vend viktimave t’u fal namazin e xhenazes në jo-prezencë.

Qendra Përkujtimore “Nëna Shqiptare” u inaugurua më 28 nëntor të vitit 2013, në nder të viktimave shqiptare nga Luftërat Ballkanike. Në këtë qendër të shtrirë në një hapësirë prej 10 mijë metra katrorë ndodhen rreth 300 varre të viktimave nga Luftërat Ballkanike.

Reagon Moska ndaj deklaratave të Zaevit se Rusia po përgatit likudimin e tij fizik

Moska Zyrtare përmes ka reaguar përmes ambasadës në Shkup ndaj intervistës së kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, për radion malazeze “Antena-M”, ku foli edhe për reagimet që do të vinin nga Rusia në rast se Maqedonia bëhet anëtare e NATO-s, transmeton Express.

Komunikata e UÇK-së: MPB-ja heton, Shoqatat e luftës s’janë në dijeni

MPB-ja po heton se kush qëndron prapa të ashtuquajturës “komunikatë” numër 6 të UÇK-së, me të cilën shqiptarëve u është bërë ultimatum që deri nesër në mesnatë t’i lënë të gjitha institucionet shtetërore në të cilat punojnë, për shkak të aktgjykimit për rastin “Lagja e Trimave”. Por, nga policia pohojnë se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe stabël.

Lidhur me atë se kush qëndron prapa ultimatumit të UÇK-së, nuk janë në dijeni as krerët e SHVL-UÇK-së dhe të OVL-UÇK-së, Fazliu Veliu dhe Besim Hoda.
Komunikata ka ardhur dje pasdite përmes postës elektronike në redaksitë e disa mediave shqipe. “Menjëherë pas publikimit të kësaj komunikate, Ministria e Punëve të Brendshme në koordinim me Prokurorinë Publike kompetente ndërmori masa përkatëse lidhur me ‘informatën’ në fjalë dhe aktivitetet po zhvillohen në atë drejtim. Njëkohësisht, MPB-ja thekson se në vazhdimësi ndiqen të gjitha rreziqet eventuale ndaj sigurisë, megjithatë për momentin nuk ka shantazhe serioze për gjendjen e sigurisë, lidhur edhe me ‘komunikatën’ në fjalë edhe përmbajtjen e saj. Sipas analizave dhe njohurive aktuale të MPB-së, gjendja e sigurisë në Republikën e Maqedonisë është e qetë dhe stabile”, thonë për POST.mk, nga MPB-ja. As Veliu nuk ka njohuri nëse ka informata për atë se kush do të mundte t’i dërgojë opinionit një ultimatum me vulën e UÇK-së, transmeton Medial.mk

I forti i Kumanovës “selam” paramilitarit maqedonas: Ti që po ofendon UÇK-në, do bëhesh pishman

Biznesmeni Bashkim Qazimi, i njohur si i forti i Kumanovës i ka dërguar një porosi të ashpër paramilitarit maqedonas, Goran Angellov, i cili ofendoi UÇK-në duke i quajtur edhe “homoseksualë”.

Në porosinë e shkruar edhe shqip edhe maqedonisht, Bashkim Qazimi nga Kumanova kërkon nga Angellov të kërkojë falje për këtë ofendim, ose do të bëhet pishman, shkruan Gazeta Lajm. “Unë Bashkim Qazimi, nga Kumanova, e pranoj sfidën e Goran Angellovit, komandantit të Beretave maqedonase, i cili sot i paska sfidu dhe i paska ofendu ushtarët e UÇK-së. Nëse nuk ai nuk kërkon falje publike për këtë ofendim, e sfidoj KU TË DOJË DHE KUR TË DOJË të përballet me mua. Nëse është burrë, pres t’i përgjigjet kësaj ftese time sa më shpejtë!”, ka shkruar Qazimi.

Vazhdon shpërndarja e librit « Mashtrimi i Madh »

Vazhdon shpërndarja e librit « Mashtrimi i Madh »

Vazhdon shpërndarja e librit « Mashtrimi i Madh » Biznesmeni nga Tetova, Enver Kadriu, pronar i Hotel Restorant « Tivoli » në Tetovë dhe Shkup njofton përmes profilit të vet në Facebook se në takimin me bashkatdhetarët nga diaspora pas bisedës për situatën politike në Kosovë ua dhuroi librin « Mashtrimi i Madh » të autorit Bardhyl Mahmuti. Ky libër zhvesh akuzat e pabaza që bëhen kundër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nxjerr në shesh krimin e gjenocidit serb në Kosovë.

 

 

BDI-ja dhe LSDM-ja shpallin fitoren

Simpatizantë të LSDM-së, zgjedhjet lokale 2017.

Partitë politike të parat e shpallin rezultatin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shpalli, siç tha, fitore në pjesën më të madhe të komunave me shumicë shqiptare.

Jam këtu për të konfirmuar lajmin e fitores së madhe të BDI-së në Tetovë, Strugë, në Çair, në Dibër, në Saraj, në Likovë, në Dollnen, Tearcë, Pllasnicë dhe Kërçovë”, deklaroi Ahmeti.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, i cili ka garuar në komunën e Strugës, për humbjen e tij e akuzoi kryeministrin Zoran Zaev, duke theksuar se ai mbetet fitues absolut në elektoratin shqiptar.

“Në rast se kemi parasysh votat e shqiptarëve, ne kemi dyfishin e votave në krahasim me kundër-kandidatin tonë. Kemi rreth 3 mijë vota më tepër se Ramiz Merko dhe BDI-ja. Në çdo fshat të Strugës ne kemi fituar. Vota shqiptare në qytet është e jona, ai ka marrë votat e LSDM-së. Shqiptarët e kanë fituar këtë betejë. Për ne është i papranueshëm ky rezultat”, tha Sela.

Aleanca për Shqiptarëtnë koalicion me Lëvizjen Besa shpalli fitore në komunën e Gostivarit, atë të Vrapcishtes, Bogovinës dhe Zhelinës.

Gostivari u çlirua nga një diktator. Koalicioni ka fituar edhe në Vrapcisht, Bogovinë dhe Zhelinë. Në të gjitha komunat ku kemi humbur, dallimi në vota është shumë i vogël – kjo tregon se shqiptarët u zgjuan”, theksoi Arben Taravari, i cili shpallifitoren e tij në komunën e Gostivarit duke paralajmëruar mbajtjen zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së shpejti.

Ndërkohë, Social-Demokratët e kryeministrit Zoran Zaev, kanë shpallur fitore pothuajse në të gjitha komunat ku ka garuar me kandidatët e saj, përfshirë dhe komunat që janë pjesë e Shkupit.

“Zgjedhjet ishin kristal të pastra”, deklaroi Zaev, duke kërkuar nga VMRO DPMNE që të njoh rezultatin zgjedhor:

“Besoj se VMRO-ja do të grumbullojë forcat dhe do ta njohë rezultatin zgjedhor. Bëj thirrje deri tek udhëheqësia e VMRO-së që në plan të parë të vendosin interesat e Republikës së Maqedonisë”.

Kurse, lideri i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, zgjedhjet vendore i quajti të falsifikuara.

“Është shkelur edhe heshtja zgjedhore. Disa persona kanë shpërndarë fletushka, derisa policia ka qenë në shërbim të tyre. Janë regjistruar edhe kërcënime, shantazhime dhe blerje e votave. Janë shpërndarë edhe artikuj ushqimorë”, u shpreh Gruevski, duke kërkuar formimin e Qeverisë teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Gruevski tha se nuk e njeh rezultatin zgjedhor.

Me rezultatet e para zyrtare, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet të dalë në mesnatë.

Mbyllen vendvotimet për balotazhin në Maqedoni

Në Maqedoni ka përfunduar procesi i votimit për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, në të cilat rreth 833.716 qytetarë të regjistruar në listën e përgjithshme zgjedhore kanë zgjedhur 35 kryetarët e rinj të komunave.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 17:00, të drejtën e votës në rrethin e dytë për zgjedhjet lokale e kanë shfrytëzuar 43.83 për qind e votuesve.

Pjesëmarrja më e lartë nga 35 komunat ku u zhvillua balotazhi, është regjistruar në Demir Kapi, me rreth 76 për qind, ndërsa më e ulëta në komunën Shuto Orizare të Shkupit ku në votime kanë dalë 31 për qind e votuesve.

Sipas KSHZ-së, procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë kryesisht të qetë dhe demokratike, me përjashtim të disa problemeve teknike, të cilat, siç thuhet, janë evituar me kohë duke mundësuar kështu vazhdimin e procesit zgjedhor.

Edhe autoritetet e rendit kanë pohuar se procesi zgjedhor në përgjithësi u zhvillua në mënyrë të qetë, pa probleme serioze, që mund ta prishin rendin publik.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë konfirmoi se në komunën e Shuto Orizares në Shkup, policia ka arrestuar një person për shkak të përfshirjes në një rrahje me disa persona të tjerë.

“Gjatë procesit zgjedhor është regjistruar prishje e rendit publik në Shuto Orizare. MPB-ja ka dalë menjëherë në teren ku është ndaluar një person për shkak të përfshirjes në një rrahje jashtë qendrës votuese. Ende nuk dihen arsyet e incidentit”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.

Sipas tij, MPB-ja ka regjistruar edhe tri raste të fotografimit të fletës së votimit në vendvotimet në Shuto Orizare, Cërnice dhe Probishtip.

Organizata joqeveritare “CIVIL”, në një paraqitje për mediet ka denoncuar parregullsi në një zonë të Shkupit ku, siç thuhet, janë regjistruar raste të votimit familjar, një person për më shumë veta, pastaj raste të fotografimit si dhe disa shkelje më të vogla.

Gjatë paradites, asociacioni qytetar “MOST” që kishte numrin më të madh të vëzhguesve, kishte njoftuar për proces të rregullt zgjedhor.

Pritjet e qytetarëve nga zgjedhjet lokale

Qytetarët, të cilët e kanë shfrytëzuar të drejtën votës në komunat e Shkupit nga kryetarët e komunave presin që të angazhohen për zgjidhjen e problemeve infrastrukturore, ndalimin e ndërtimit të objekteve pa leje, më shumë hapësira të gjelbëruara, etj.

“Po gjithsesi presim të ketë ndryshime, të angazhohen më shumë në punë. Të jenë më aktivë për zgjidhjen e problemeve, me të cilat ballafaqohen qytetarët, sepse qytetarët kanë nevojë të zgjidhen problemet infrastrukturore. Pra, të krijojnë një komunë ku do të ketë rend dhe gjërat do të funksionojnë në rregull”, tha Faruk Bislimi nga komuna e Çairit të Shkupit.

“Po shpresoj të bëhet mirë për të rinjtë, të ketë punë për ta, e mos na ikin jashtë vendit”, tha Nazmije Mehmeti.

“Po uroj të kalojnë qetë zgjedhjet, kush të fitojë e pret shumë punë”, u shpreh Dragan Stojanovski, nga komuna e Butelit.

“Po pres përmirësim të situatës në të ardhmen. Ka shumë nevojë të investohet për ngritjen e cilësisë së arsimit në komunën tonë. Shumë fëmijë mësojnë në një klasë të vetme si rrjedhojë e mungesës së klasave”, theksoi Veton Asani, nga komuna e Çairit të Shkupit.

“Më pengon ky kaos urbanistik, shpresoj që kryetari i ri komunës ta ndalë këtë katrahurë urbanistike”, tha Daniella Ristevska nga komuna e Gazi Babës së Shkupit.

“Po jam i kënaqur se procesi zgjedhorë realizohet qetë dhe pa probleme. Kjo është me shumë rëndësi. Ka shumë gjëra që janë përmirësuar në komunën tonë, po ka edhe disa gjëra që duhet të përmirësohen, siç është zgjidhja e problemit me kanalizimin”, tha Abdulla Bunjaku nga komuna e Çairit.

“E shihni, jetojmë rrëzë Malit Vodno dhe ballafaqohemi me ajrin e ndotur. Shpresoj që kryetari i ri i komunës të marrë masa që të këtë më shumë gjelbërim”, u shpreh Damjan Angellov nga Komuna e Kisella Vodës.

Për dallim nga rreth i parë i zgjedhjeve më 15 tetor, kur u votua edhe për këshillat komunalë dhe Qytetin e Shkupit, tani është votuar vetëm për kryetarë të komunave, që kaluan në balotazh ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në rrethin e parë të zgjedhjeve.

Në këtë rreth garuan 68 kandidatë të 8 subjekteve politike dhe 2 kandidatë të pavarur.

Gara kryesore u zhvillua kryesisht në komunat shqiptare, pasi nga 14 prej tyre me shumicë shqiptare, në rrethin e parë janë zgjedhur kryetarët e vetëm dy komunave.

Rrethin e dytë të zgjedhjeve e monitoruan 5,101 vëzhgues vendorë dhe 473 të huaj, ndërsa procesi është mbikëqyrur edhe nga delegacioni i BE-së, Ambasada Amerikane, me 35 vëzhgues. Vëzhgues pati edhe nga vende tjera, si nga Britania e Madhe, Franca, Rusia, Shqipëria, Kosova e vende tjera.

Maqedonia ka gjithsej 80 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e vetë-administrimit lokal me 10 komuna urbane në përbërje të tij.

Sot në orët e para të mëngjesit, ndërroi jetë veprimtari i arsimit Prof. Dr. Xhevat Gega

Prof. Dr. Xhevat Gega lindi në Strugë më 1934. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Normalen në Shkup dhe Tetovë.

Pas diplomimit punon si mësues në fshatin Kishavë të Manastirit, ndërsa vitin vijues shkollor në f. Veleshtë të Strugës. Pas dy vjet mësuesie, në vitin 1953 Xhevat Gega regjistrohet në Fakultetin Filozofik në Beograd dhe në vitin 1957, në po atë fakultet të Beogradit, diplomohet në degën e gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Pas diplomimit ka punuar si profesor i gjuhës dhe letërsisë në Normalen “Zef Lush Marku” të Shkupit, ndërsa si bashkëpunëtor i jashtëm ka ligjeruar edhe në Grupin e Gjuhës dhe Letersisë Shqiptare pranë Akademisë së Lartë Pedagogjike ”Kliment Ohridski” të Shkupit.
Vite me rradhë ka qenë redaktor i rubrikës kulturore në Redaksinë e gazetës “Flaka e Vëllazërimit”. Që nga tetori i vitit 1969 e deri më 1974 ka punuar si profesor i lëndëve histori e letërsisë shqiptare dhe teori e letërsisë pranë Akademisë Pedagogjike “Kliment Ohridski” në Shkup, ku gjatë një mandati ka qenë edhe zëvendësdrejtor i Akademisë Pedagogjike.

Është autor i një veprimtarie madhore përkthyese, ka me dhjetëra tituj të përkthyer nga maqedonishtja dhe letërsitë jugosllave. Xhevat Gega ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zgjedhjen dhe përkthimin e materialeve për Mbrëmjet Strugane të Poezisë, Takimet e Racinit, Institutin e letërsisë pranë Fakultetit Filologjik në Shkup (si udhëheqës i projektit), etj.

Arrestohen në Greqi dy agjentë maqedonas rreth aferës së përgjimit

Dy agjentë të lartë të policisë sekrete maqedonase janë arrestuar në Selanik të Greqisë, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur akuzat për përfshirje në aferën e përgjimeve. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë të Lidhjes Social-Demokrate në pushtet ndërsa pritet konfirmim edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Të arrestuarit janë, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, të cilët u kapën mbrëmë vonë, por nuk janë dhënë detaje tjera.

Ata janë të ngarkuar me akuza për shpërdorim të detyrës dhe shkatërrimin e pajisjeve me të cilat dyshohet se janë bërë përgjimet e paligjshme. Këto akuza janë ngritur nga Prokuroria Speciale në rastin e koduar “Titanik”. Gjykata Penale tre muaj më parë u kishte caktuar atyre masën e paraburgimit, por menjëherë pas këtij vendimi ata janë arratisur në drejtim të panjohur.

Duke komentuar procedurat e mëtejme, përfshirë edhe ekstradimin e tyre, eksperti për çështje të sigurisë, Lubomir Gjurçevski tha se tani duhet ndjekur procedurat që parashihen për ekstradim.

Fillimisht duhet të presim që Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet ndihmës juridike Ndërkombëtare apo nga shërbimet e INTERPOL-it, të njoftohet se personat me identitetin e caktuar janë arrestuar në Selanik. Kjo me qëllim të fillimit të procedurës së vërtetimit, fillimisht të identitetit të tyre të vërtetë. Këtu përfshihen dokumentet që i posedojnë institucionet vendase dhe të dhënat për personat në fjalë. E gjithë procedura mund të zgjasë deri në 30 ditë”, tha Gjurçevski.

Veç kësaj, policia në dy ditët e fundit ka ndaluar edhe disa persona tjerë, të përfshirë në dhunën më 27 prill në Kuvendin e Maqedonisë. Ata akuzohen për tentim vrasje të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Arrestimet vijnë dy ditë pas përfundimit të rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, të cilat u fituan nga partia e kryeministrit, Zoran Zaev.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Osman Kadriu, thotë se arrestimet mund të kenë lidhje edhe me zgjedhjet e fundit, pasi ato ndodhën menjëherë pas fitores së LSDM-së. Kadriu vlerëson se gjyqësori, duke e parë se më nuk është nën presionin e elementëve të Qeverisë së kaluar, ka nisur të bëjë kthesë serioze në punën e tij.

Gjyqësori nëse është në krye të detyrës, gjithmonë duhet të bëjë ndjekje penale për të gjithë kryerësit e veprës penale. Këtë gjithashtu duhet ta bëjnë edhe organet tjera, përfshirë edhe policinë. Vlerësoj se momenti kur janë bërë arrestimet, tregon se për këtë edhe janë krijuar kushtet që personat në fjalë janë të kapshëm për organet e ndjekjes penale”, thotë Kadriu.

Sipas tij, ky zhvillim “flet për një kthesë shumë të rëndësishme në gjyqësor”.

Arrestimet e fundit që ndërlidhen me dhunën në Kuvend si dhe arrestimet në Selanik, besohet se kanë një emërues të përbashkët, aferën e përgjimeve të publikuar nga kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, në shkurt të vitit 2015, që kishte shkaktuar krizën më të madhe politike, e cila kulmoi me protesta e tensione të shumta. Atë kohë tensionet politike ishin ngritur dukshëm, po ashtu edhe procese gjyqësore, ndërkohë që gjendja e tensionuar sikur i kishte “shtyrë” partitë politike shqiptare të arrinin marrëveshje. Krejt këto zhvillime, patën dërguar Maqedoninë në zgjedhje të parakohshme parlamentare në dhjetor të vitit 2016, kur edhe ra na pushteti i VMRO DPMNE-së së Nikolla Gruevskit.

Ai akuzohet për përgjimin e dhjetëra mijëra qytetarëve të Maqedonisë, përfshirë edhe personalitete të shumta të jetës politike. Përmbajta e bisedave telefonike të zyrtarëve nxori në sipërfaqe ndërhyrjen e pushtetit të kaluar në gjyqësor, mashtrime zgjedhore, presione ndaj mediave, afera korruptive, e shkelje tjera ligjor.

Rikthehet përfaqësimi i shqiptarëve në Manastir pas shumë vitesh

Koalicioni i partive shqiptare BDI – Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët kanë fituar një këshilltar komunal në komunën e Manastirit, qyetin e Alfabetit Shqip.

Bëhet fjalë për kandidatin dhe bartësin e listës së këshilltarëve, Burim Qerimi. Kjo listë koalicioni me mbi 1500 vota ka siguruar një mandat këshilltar dhe që do të jetë zëri i shqiptarëve në këtë komunë. “U bashkuam me një qëllim, për të unifikuar votën shqiptarë në qytetin tonë, dhe për të fituar atë që na takon.

Të nderuar dhe të respektuar bashkëqytëtarë, votues dhe simpatizantë të koalicionit Për Manastirin. Me durim , besueshmëri , përkushtim dhe sakrificë nisëm bashkë rrugëtimin për të fituar vende në Këshillin e Komunës. Synonim të jemi më shumë , por ja që nuk ja arritëm.

Patëm pengesa por nuk na zmbraptën. Përkundrazi ,pengesat na kalitën dhe na dhanë forcë për të ecur drejt synimeve dhe sukseseve të përbashkëta . Unë ju siguroj që detyrën e këshilltarit do ta ushtroj me përkushtim dhe do t ju mbtem besnik votuesve të mi, do të jem në shërbim të tyre . Do të punoj për mirëqenien e popullatës sonë dhe do të mundohm të përligj vullnetin e votuesve në kuadër të mundësive. JU falemnderit nga zemra për mbështetjen !!!!”, ka shkruar këshilltari Burim Qerimi.

Fitorja e këtij kandidati shqiptar është përshëndetur nga shumë qytetarë manastiras, por edhe më gjerë

Shqiptarët në Ohër vërtetuan se bashkimi bën fuqinë

Shqiptarët e Ohrit janë më të rrezikuarit nga margjinalizimi dhe diskriminimi deri tani nga administrata komunale.

Për këtë, partitë BDI, Lëvizja Besa dhe Aleanca për shqiptarët e Ziadin Selës kanë vendosur para zgjedhjeve të shkojnë me lista të përbashkëta për këshillin komunal të Komunës së Ohrit.

Ky bashkim forcash, që nuk ju bashkua PDSH-ja e Menduh Thaçit, ka arritur të marrë dy këshilltarë në Këshillin komunal.

Kjo është historike për shqiptarët andej pasi prej vitit 2009 kanë pasur një këshilltar.

Këtë radhës si pasojë e bashkimit të forcave, këshilltarë do të jenë Nefi Useini dhe Xhemal Mena, njëri nga BDI kurse tjetri nga Lëvizja Besa.

Më herët merret vesh se në mandatin e viteve 1991-1996 kanë pasur tre këshilltarë: Kadri Pollozhani, Ajri Shaqiri dhe Axhibajram Rizvani.

Në mandatin 2005-2009 kanë qenë dy këshilltarë: Nedim Pollozhani dhe Ylber Doko.

Historike është në këtë rast se hynë në lojë thënia ”Bashkimi bën fuqinë” duke bashkuar forcat që të kenë dy këshilltarë, krahasuar me mandatin e kaluar ku ishte vetëm një këshilltar.

Bashkime të njejta të votave për këto zgjedhje nga radhët e BDI-së, Lëvizjes Besa dhe
Aleancës për shqiptarët ka pasur në Komunën e Butelit për listën për këshilltarë dhe në Kërçovë për kryetar komune ku u zgjodh Fatmir Dehari për mandat të dytë.

LSDM fituese në shumë komuna të Maqedonisë

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ka shpallur fitoren në një numër komunash të vendit dhe epërsinë e votave në shumë komuna të tjera ku do të ketë balotazh pas dy javësh.

Krerët e partisë dhe mbështetësit e saj festuan mbrëmë para selisë së qeverisë. Sipas LSDM-së, kandidatët e saj për kryetarë komunash kanë fituar që në raundin e parë në Manastir, Kumanovë, në disa komuna në kuadër të qytetit të Shkupit dhe në disa të tjera në brendi të vendit.

Ndërkaq, pothuaj se të gjitha partitë shqiptare kanë deklaruar fitore në zgjedhjet vendore të 15 tetorit, por realisht vetëm Bashkimi Demokratik ka arritur të fitojë Kërçovën, të cilën Fatmir Dehari, si kandidat i vetëm shqiptar që ishte, do ta drejtojë edhe një mandat katërvjeçar; si dhe komunën rurale të Pllasnicës, afër Kërçovës.

Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, i cili garoi për një mandat të dytë në Strugë, ka njoftuar se shkon në balotazh me epërsi votash ndaj rivalit të tij Ramiz Merko të BDI-së.

Në Tetovë do të ketë balotazh midis Teuta Arifit, BDI dhe Kasam Bilallit, Lëvizja “Besa”. Në Gostivar, Nevzat Bejta (BDI) dhe Arben Taravari (ASH), në Çair: Visar Ganiu (BDI) dhe Zeqirja Ibrahimi (Besa).

Në garën për kreun e Shkupit në balotazh pritet të shkojnë Petre Shilegov i Lidhjes Social Demokrate dhe Koce Trajanovski i VMRO-DPMNE-së, i cili garon për një mandat të dytë. Por, fitoren e njërit ose të tjetrit e përcaktojnë votuesit shqiptarë.

Humbësja më e madhe duket të jetë VMRO-DPMNE, e cila nuk ka arritur të mbajë disa komuna në pjesën lindore të vendit dhe brenda qytetit të Shkupit që vlerësoheshin si ‘bastione’ të saj. Partia ankohet për parregullsi të shuma, incidente, trysni, blerje votash e shantazhe. Nikolla Gruevski, ish-kryeministër dhe kryetar i VMRO-së tha gjatë një paraqitjeje në mesnatë se do t’i ankimojë “para organeve përkatëse dhe gjyqësore rezultatet dhe parregullsitë në më shumë komuna”.

Ndërkaq, ministri i punëve të brendshme, Oiver Spasovski u tha gazetarëve se janë regjistruar ndërprerje të shkurtra të procesit të votimit në disa qendra votimi, por kjo ka zgjatur për 15-20 minuta, pastaj ka pasur raste të fotografimit të fletëvotimit nga votuesit, të cilët janë ndaluar nga policia.

Zgjedhjet shihen me interes edhe nga komuniteti ndërkombëtar, i cili pret një proces të drejtë dhe demokratik në zgjedhje. Komuniteti ndërkombëtar haptazi ka lënë të kuptohet se pjekuria demokratike, përkatësisht procesi i zgjedhjeve do të diktojë rrugën dhe avancimin e Maqedonisë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Procesin e ndoqën 373 vëzhgues nga misioni ODIHR i OSBE-së, vëzhgues nga disa prej komisioneve qendrore të vendeve fqinje dhe nga ambasadat e huaja në Shkup si dhe mbi pesë mijë pjesëtarë të organizatave joqeveritare vendase.

Ambasadori amerikan Jess Baily iu është bashkuar pjesëtarëve të ambasadës në vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve, ndërsa u bënte thirrje “të gjithëve që të dalin dhe ta japin votën e tyre”.

Ndërkaq, ajo që prej vitesh ka qenë çështje debati është numri i madh votuesve të regjistruar. Maqedonia ka pak mbi 1 milion e 800 mijë votues. Nuk ka pasur nje regjistrim të popullsisë që nga viti 2002 kur kishte pak mbi dy milionë banorë, ndërsa emigracioni është një prirje në rritje dhe shumë shtetas vetëm në vitet e fundit kanë kërkuar qëndrim ose ndodhen tashmë në shtetet perëndimore.

Zgjedhjet në Maqedoni – Rezultatet paraprake, shqiptarët kryesojnë bindshëm në disa Komuna

Vazhdon numërimi i votave në të gjitha komunat në Maqedoni, ku duket se deri më tani kandidatët e partive shqiptare përfaqësuese janë duke kryesuar bindshëm.

Gara për Tetovën, kryeson Teuta Arifi

Vazhdon numërimi në komunën e Tetovës ku deri më tani janë numëruar 34.78 për qind të votave.

Në këtë komunë kryesonkandidatja nga radhët e BDI-së, Teuta Arifi e cila ka marrë deri më tani 35.73 për qind të votaveose 4.101 vota, zonja Arifi ndiqet nga Bilall Kasami i Besës i cili deri më tani ka marrë 29.21 për qind të votave ose 3.353 vota, raporton albeu.com

 

 

Ne vend të tretë renditet Adnan Neziri nga ASH me 11.85 për qind të votave ose 1.360 vota.

BDI-ja kryeson bindshëm në Likovë, ja sa vota kanë marrë Erkan Arifi dhe Shaban Zendeli

Vijon me ritme të kënaqshme numërimi i votave në komunën e Likovës, ndërkohë që Albeu.com ka siguruar të dhënat për kutitë e para.

Mësohet se deri më tani kryesonErkan Arifi i BDI-së me 47.37 për qind (3 825 vota), i ndjekur nga Shaban Zendeli i Besës me 29.12 për qind (2 351 vota), në vend të tretë renditet Bekim Afuzi i ASH-së me 12.70 për qind (1 025 vota).

Fatmir Dehari kryeson bindshëm ndaj VMRO-së në Kërçovë

Deri më tani në komunën e Kërçovës janë numëruar 33.96 për qind të votave, njofton albeu.com.

Sipas rezultateve të deritanishme, në këtë komunë kryeson bindshëm Fatmir Deharii cili ka marrë 60.49 për qind të votave ose 5.135 vota.

Ndërsa kandidati i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Sajkoski ka marrë 39.51 për qind të votave ose 3.354 vota.

“Lufta” për Çairin, BDI “dërrmon” kundërsharët në kutitë e para

Deri më tani në komunën e Çairit janë numëruar 26.18 për qind të kutive raporton Albeu.com dhe sipas të dhënave të dala nga to rezultati i deritanishëm është ky:

– Visar Ganiu, BDI- 15.59 për qind (2 984) vota;
– Zekerija Ibrahimi, BESA – 31.19 për qind (2 042) vota;
– Nermin Telovska – VMRO-DPMNE – 9.96 për qind (652 vota)
-Faruk Abdi – ASH – 8.46 për qind (554) vota.

Incidente gjatë numërimit në Kumanovë, ja kush kryeson deri më tani në Tetovë, Gostivar dhe Kërçovë

Vëzhguesit e qendrës për liri “Civil” kanë regjistruar incident gjatë numërimit të votave në një vendvotim në Komunën e Kumanovës, transmeton Express.

“Në vendvotimin 1017/1 në Kumanovë, vëzhguesit e Lëvizjes Besa, kanë kërkuar të futen në vendin ku janë numëruar votat, pasi është mbyllur procesi i votimit. Aktivistët e Lëvizjes Besa janë kërcënuar dhe kanë kërkuar të hynë gjatë numërimit. Komisioni zgjedhor i ka lëshuar brenda, pas çka ka intervenuar policia”, informojnë nga “Civil”.

Tani numërimi zhvillohet pa pengesa.

BDI po kryeson në Gostivar

Vazhdon procesi i numërimit në Komunën e Gostivarit.

Burime të albeu.com bëjnë me dije se deri më tani në këtë komunë kryeson Nevzat Bejta i BDI-së me 33.71 për qind të votave i ndjekur nga ArbenTaravari i Aleancës për Shqiptarët me 31.79 për qind të votave.

Ndërsa i treti në radhë për nga renditja vjen Asaf Ademi nga Besa me 19.80 për qind të votave.

Fatmir Dehari kryeson bindshëm ndaj VMRO-së në Kërçovë

Deri më tani në komunën e Kërçovës janë numëruar 33.96 për qind të votave, njofton albeu.com.

Sipas rezultateve të deritanishme, në këtë komunë kryeson bindshëm Fatmir Deharii cili ka marrë 60.49 për qind të votave ose 5.135 vota.

Ndërsa kandidati i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Sajkoski ka marrë 39.51 për qind të votave ose 3.354 vota.

BDI-ja kryeson bindshëm në Likovë, ja sa vota kanë marrë Erkan Arifi dhe Shaban Zendeli

Vijon me ritme të kënaqshme numërimi i votave në komunën e Likovës, ndërkohë që Albeu.com ka siguruar të dhënat për kutitë e para.

Mësohet se deri më tani kryesonErkan Arifi i BDI-së me 43.69 për qind (4 325 vota), i ndjekur nga Shaban Zendeli i Besës me 38.08 për qind (3 950 vota), në vend të tretë renditet Bekim Afuqi i ASH-së (1 225 vota).

Po vijon me ritme të kënaqshme numërimi i votave në komunën e Tetovës. 

Albeu.com mëson se deri më tani në këtë komunë kryeson Teuta Arifi e BDI-së me 39.39 për qind të votave (1 354 vota), e cila ndiqet nga Bilall Kasami i Besësme 36.63 për qind (1 259 vota).

Në vend të tretë deri më tani është Bardhyl Dauti i PDSH-së me 9 për qind (310 vota).

“Lufta” për Çairin, BDI “dërrmon” kundërsharët në kutitë e para

Deri më tani në komunën e Çairit janë numëruar 26.18 për qind të kutive raporton Albeu.com dhe sipas të dhënave të dala nga to rezultati i deritanishëm është ky:

– Visar Ganiu, BDI- 15.59 për qind (2 984) vota;
– Zekerija Ibrahimi, BESA – 31.19 për qind (2 042) vota;
– Nermin Telovska – VMRO-DPMNE – 9.96 për qind (652 vota)
-Faruk Abdi – ASH – 8.46 për qind (554) vota.

Mbyllet votimi në Maqedoni, ja kur dalin rezultatet e para

Në gjithë territorin e Maqedonisë në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit për zgjedhjet lokale 2017.

Në bazë të njoftimeve të fundit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në orën 17:00, mbi 885.044 e qytetarëve me të drejtë vote kanë marrë pjesë në zgjedhje lokale që i bie 49,02% për qind e votuesve, shkruan TV Koha.

Sipas të dhënave të KKZ-së në komunën e Gostivarit, të drejtën e votës deri ora 17 e kanë ushtruar 29.531 votues apo 37.1 për qind.

Në Komunën e Dibrës deri në orën 17 në votim kanë dalë 7.342 persona me të drejtë vote apo diçka mbi 40 për qind nga gjithsej 18.406 qytetarë të regjistruar.

Deri në ora 17 është rritur fluksi i votuesve në Tetovë duke shkuar rreth 39% që i bie 32527 persona kanë ushtruar të drejtën e tyre të votimit.

Në Kërçovë deri ora 17, 49,21% apo 24.890 të qytetarëve e ushtruan të drejtën e tyre të votës.

Në Çair deri ora 17, 43,20% apo 24.888 të qytetarëve e ushtruan të drejtën e tyre të votës.

Në komunën e Bogovinës kanë votuar 34,27 për qind, në komunën e Bërvenicës jehona është 38,79, në komunën e Zhelinës 32 për qind, në komunën e Jegunovcës 39 për qind dhe në komunën e Tearcës 36,88 për qind.

Rasti “Monstra”, kthesë pozitive për Gjyqësorin

Prokuroria Publike në Maqedoni

Kërkesa e Prokurorisë Publike për rishikimin e rastit “Monstra”, njoftimet për një vendim të ngjashëm, apo për shpalljen e pafajshme të të dënuarve edhe për rastin “Sopoti”, ndërhyrjet e Prokurorisë Speciale në Gjykatën Penale për shkak të dyshimeve për parregullsi dhe shumë procese tjera të nisura, sipas ekspertëve juridikë, japin një fije shpresë për ndonjë një kthesë pozitive në Gjyqësor, në aspekt të vendosjen së tij në binarë normalë, e që ka të bëjë me sundimin e së drejtës.

Sipas profesorit të së Drejtës Kushtetuese, Mersim Maksuti, rasti “Monstra” që ta bëjë me kërkesën për rigjykimin apo anulimin e vendimeve me burgim të përjetshëm për gjashtë shqiptarë të dënuar për vrasjen e pesë maqedonaseve, në prill të vitit 2012, pa prova relevante, flet për drejtësinë e kapur nga ish-pushteti, por edhe për sinjalet se Gjyqësori mund të funksionojë mbi parimet e së drejtës, nëse lihet të punojë në bazë të ligjeve, dhe jo ndikimeve politike.

“Rasti i fundit, me kërkesën e Prokurorisë për rishikimin apo rigjykimin e rastit ‘Monstra’, është një sinjal apo kthesë se gjyqësia në Maqedoni po fillon një etapë të re në funksionimin e binarëve të shtetit juridik. Kjo pa dyshim se paraqet shpresë se tashmë gjyqësia dhe Prokuroria po hyjnë në fazën e funksionimit normal për një gjyqësi të pavarur”, thotë për Radion Evropa e Lirë profesori Maksuti.

Profesori i së Drejtës Penale, Gordan Kalljaxhiev, thotë se Gjykata Supreme e cila duhet ta thotë fjalën përfundimtare lidhur me kërkesën e Prokurorisë nuk duhet të ketë fare dilema, por sa më parë të vërtetojë vendimin e palës së akuzës, për kthimin e lëndës për rigjykim në shkallën e parë.

Ai vlerëson se ky proces gjyqësor ishte përplot me lëshime dhe prova që linin dyshime nëse këta persona ishin autorët e vërtetë të krimit.

“Ne kishim rastin kur edhe Prokuroria Publike nuk qëndron më pas akuzës, andaj konsideroj se Gjykata Supreme duhet të veprojë me moral. Nëse unë do të isha gjykatës dhe organ i akuzës, nuk do të mundja askënd ta dënoja me burg të përjetshëm përderisa ai që më argumenton akuzën e fajtorëve, nuk është vetë i sigurt, këtu e kam fjalën për Prokurorinë. Nuk kam asnjë dyshim se duhet të ketë rigjykim”, thotë profesori Kallajxhiev.

Ai thotë se veprimet e tilla, apo ndërhyrjet politike e kanë sjell Gjyqësorin në gjendje të rëndë, ndoshta më të keqen që nga pavarësia e vendit.

Rasti “Monstra” së bashku me “Sopotin”, vrasjen e Martin Neshkovskit, një protestuesi në një miting të partisë së Gruevskit, VMRO DPMNE, pastaj aksidenti me pasojë vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov dhe rasti i “Lagjes së Trimave”, në Kumanovë, vlerësohen si skandalet më të mëdha që e kanë përcjellë qeverinë e kaluar mes VMRO-së dhe BDI-së.

Një vendim lirues nga akuza pritet të ketë edhe për rastin “Sopoti” ku dhjetëra banorë ishin dënuar me mbi 150 vjet burg për një bombë të shpërthyer në vitin 2002 në fshatin Sopot të Kumanovës, nga e cila kishin humbur jetën dy ushtarë të NATO-s.

Por, nga provat e paraqitura më vonë, madje edhe nga vetë zyrtarë të NATO-s, këta banorë rezultojnë të jenë të pafajshëm.

Profesori Mersim Maksuti beson se raste të tilla në të ardhmen nuk do të ndodhin dhe se pushteti aktual, sipas tij, edhe pse me një shumicë të paqëndrueshme, nuk do të tentojë të vërë dorën mbi Gjyqësor.

“Ky pushtet nuk ka bazë të fuqishme politike, të stabilitetit politik, në jetëgjatësinë e tij në kuptimin e numrave që përbëjnë qeverinë. Por, pavarësisht kësaj, mendoj se fryma që është krijuar, është ajo që do të sjellë reforma në të gjitha fushat, po pa dyshim se ato në radhë të parë do të vijnë në Gjyqësor”, vlerëson Maksuti.

Nga qeveria që tani drejtohet nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, kanë thënë se hetime do të ketë edhe për rastet tjera, në veçanti për rastin e Kumanovës të para dy viteve, ku pati 19 viktima dhe dhjetëra të tjetër të plagosur. Qeveria ka miratuar edhe një strategji për reforma në Gjyqësor që për bazë kanë rekomandimet e bashkësisë ndërkombëtare.

Figura të njohura politike dëshmojnë kundër Igor Jugut

Është bërë e ditur se disa deputetë, ministra- kandidatë aktual për kryetar komunash, si dhe një gazetar kanë dhënë dëshminë e tyre kundër Igor Jug, duke vërtetuar se ai ka futur armë brenda Kuvendit, transmeton Express.

Një funksionar i lartë i LSDM-së, tani ministër aktual, para prokurorit në PSP ka deklaruar se Igor Jug ia ka vendosur revolen në kokë dhe se ai është nën rrezik nga Igor Jug.  Kundër Igor Jugut kanë dëshmuar deputeti i LSDM-së, Maksim Dimitrievski dhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, të cilët janë nga Kumanova, i njëjti qytet prej nga është edhe Igor Jug.

Identiteti maqedonas, sfida kryesore e kontestit me grekët

Identiteti i maqedonasve pritet të jetë një nga pikat më të nxehta në dialogun me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit. Pas deklaratës së shefit të diplomacisë greke, Nikos Kocijas se përveç debatit për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për emrin duhet të diskutohet edhe për identitetin, ka reaguar shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Dimitrov duke thënë se hapja e kësaj çështjeje do ta bënte të pamundur zgjidhjen e kontestit me Greqinë.

Është shumë me rëndësi që çështjet që kanë të bëjnë me identitetin të tërhiqen nga procesi për emrin, pasi kjo asnjëherë nuk do të zgjidh problemin. Është me rëndësi që ta vazhdojmë me këtë proces të afrimit, mirëkuptimit për çështjet që janë të ndjeshme për ne si popull. Nuk është mirë as në aspektin historik, por edhe për Evropën që në vitin 2017 të kontestohet identiteti i një shteti fqinj, në veçanti kur kemi parasysh se bëhet fjalë për shtet fqinj që nuk është pjesë e BE-së”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov duke theksuar gatishmërinë e Qeverisë për një qasje sa më pozitive për kapërcimin e këtij procesi shumëvjeçar, që i hap rrugën integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Debati lidhur me çështjen e identitetit komentohet në forma të ndryshme nga njohësit e çështjeve ndërkombëtare. Ish-diplomati Alajdin Demiri thotë se krahas emrit duhet të mbyllet edhe debati për identitetin, pasi pa një qartësim të këtij problemi nuk mund të ketë zgjidhje të kontestit të emrit.

Çështja e identitetit është çështje e diskutueshme, është diskutueshme në kuptimin se çfarë është identiteti. Tendenca e maqedonasve është që identitet të llogarisin Maqedoninë Antike, atë që grekët asnjëherë nuk do ta lejojnë. Identiteti i maqedonasve duhet të jetë identiteti sllav, ai që është edhe real. Pra, edhe nëse negociohet për identitetin duhet të negociohet në këtë drejtim. Vlerësoj se nuk është fjala për zhbërjen e maqedonasve, apo për zhdukjen e identitetin, por kthimin e tyre në identiteti, pra dallimin mes maqedonasve antik dhe maqedonasve sllav, përkundrazi nëse kjo nuk ndodhë nuk besoj se mund të zgjidhet ky problem”, thotë Demiri.

Nga ana tjetër, Bekim Kadriu, profesor i së drejtës ndërkombëtare ndalet në sferat tjera po ashtu të rëndësishme sipas tij në procesin e integrimit të vendit. Maqedonia sipas tij ka nevojë që krahas angazhimit për zgjidhjen e çështjes së emrit, të punojë edhe në sfera tjera, siç janë sundimi i ligjit, depolitizimi i institucioneve, liria e mediave e pavarësia e gjyqësorit.

Pra, ne doemos duhet të bëjnë këtë reforma që i përmenda, pasi nuk mjafton vetëm se qëndrimi deklarativ dhe vullneti serioz se ne dëshirojmë të vazhdojmë me procesin e eurointegrimit, por domosdoshmërish duhet të punojmë në përmirësimin e problemeve të brendshme që i kemi, pra lidhur me sundimin e ligjit dhe depolitizimin e institucioneve. Puna e sinqertë, serioze dhe me devotshmëri mendoj se mund të prodhojë rezultat që përshpejtohet procesi i eurointegrimit”, thotë Kadriu.

Aktivitet më instensive mes dy palëve janë paralajmëruar nga fundi apo fillimi i vitit të ardhshëm. Ndërmjetësi i OKB-së, Mejtu Nimic nuk e ka përjashtuar mundësinë që nga pranvera të dalë edhe me ndonjë propozim konkret për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve që kanë bllokuar integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Maqedoni, mbi 20 mijë të sëmurë me Alzheimer, vetëm 10 përqind prej tyre trajtohen me terapi

SHKUP – Me rastin e 21 Shtatorit – Ditës Botërore të Sëmundjes së Alzheimerit, në sheshin “Maqedonia” u vendos një tendë me qëllim të ngritjes së vetëdijes publike dhe për të njoftuar qytetarët me hapat për parandalimin e kësaj sëmundjeje të pakurueshme dhe degjenerative.

Në këtë tendë i pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë, Arben Taravari, i cili theksoi se në bazë të barnave që harxhohen numri i personave që trajtohen me këtë sëmundje në Maqedoni është dy deri në tre mijë mijë pacientë.

“Qëllimi është që t’i vetëdijësojmë qytetarët që pacientët të cilët kanë simptoma të kësaj sëmundje të paraqiten te mjeku. Normalisht me trajtimin do të kemi jetë më cilësore të pacientëve”, u shpreh Taravari, duke shtuar se ata pacientë duhet të diagnostifikohen me kohë, që të shërohen në mënyrë adekuata.

Njëra nga organizatorët e kësaj ngjarje, neurologia Gabriela Novotna theksoi se këto aktivitete mbahen me qëllim që mos të harrojmë se kjo sëmundje ekziston. Ajo shtoi se Alzheimeri është një epidemi e heshtur, e cila ngadalë bëhet shkaku kryesor i vdekjes.

“Sipas statistikave botërore kjo sëmundje më shpesh paraqitet pas moshës 45 vjeçare. Në Republikën e Maqedonisë rreth 20 mijë persona janë të sëmurë me Alzheimer dhe ky nuk është një numër i vogël. Mirëpo, sipas shitjes së barnave vetëm 10 përqind e tyre janë trajtohen me terapi”, u shpreh Novotna, duke apeluar që personat e sëmurë t’i sjellin në terapi dhe jo t’i ruajnë në shtëpi.

Sëmundja e Alzheimerit është lloji më i shpeshtë i problemeve mendore. Simptomat e Alzheimerit, përfshirë ato fillestare, janë problemet me memorien, me të vlerësuarit dhe të menduarit, që e bën të vështirë për personin të punojë ose të jetojë normalisht ditë pas dite. Me përkeqësimin e kësaj sëmundje humbet kujtesa. Tek shumë njerëz këto simptoma përmirësohen me ndihmën e barnave, por nuk ka shërim të plotë për këtë lloj sëmundje.

Naser Raufi: Konflikti në Kumanovë, skenar i Shërbimit Sekret

Avokati mbrojtës i të akuzuarve për konfliktin në Kumanovë, të njohur si “Lagjja e Trimave”, Naser Raufi, tha se konflikti në lagjen e Trimave ka qenë i organizuar nga shërbimi sekret maqedonas .

Konflikti në lagjen e Trimave ka qenë i organizuar nga shërbimi sekret maqedonas dhe se të akuzuarit janë manipuluar. Ata nuk kanë pasur asnjë farë qëllimi për konflikt, por vetëm kanë dashur të lëshojën një komunikatë në lidhje me mos implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ai kërkon përgjegjësi nga gjykata dhe prokuroria se “ pse nuk publikohen bisedat me politikanë përfshi liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, deputetin Artan Grubi dhe disa të tjerë. Po ashtu të dyshimta janë edhe obduksionet e kryera ndaj viktimave pasi në asnjë raport nuk thuhet se me çfarë arme janë vrarë dhe në çfarë largësie.

Maqedonia ka një nga ushtritë më të dobëta në botë, ja ku renditet Shqipëria dhe të tjerët

Kompania  ndërkombëtare Global Firepower, ka pulikuar raportin e vitin 2017 për fuqinë e ushtrive të 133 shteteve në botë, shkruan agjencia e lajmeve INA.

Sipas këtij studimi ushtrinë më të fortë në botë e kanë Shtetet e Bashkuara, e dyta në radhitje vjen Rusia, dhe e treta është Kina. Pasojnë Franca, Britania e Madhe, Japonia, Turqia, Gjermania, Egjipti, etj.

Ushtria e rankuar në fund të listës është ajo e shtetit aziatik të Butanit, kurse para saj ndodhen Surinami dhe Sierra Leone.

Në këtë mes ndodhet edhe Maqedonia me ushtrinë më të dobët në rajon dhe më gjerë.

Maqedonia rangohet në vendin e 123-të, ndërsa Kroacia është në vendin e 68-të, Serbia në vendin e 83-të, Shqipëria në vendin e 90-të, ndërsa ushtria sllovene e 114-ta.

Ushtria e Bosnjes është radhitur në vendin e 121-të, ndërsa anëtari më i ri i NATO-s, Mali i Zi, as që është përfshirë në listën e forcave ushtarake. Në listë nuk gjendet as Kosova.

Autorët e analizës morën në konsideratë më shumë se 50 faktorë. Sondazhi vëren se renditja e pjesëmarrësve nuk varet aq shumë nga sasia totale e teknikës ushtarake, sa nga uniformiteti i fuqisë ushtarake të vendit dhe shumëllojshmëria e armëve në dispozicion. Ekspertët nuk morën parasysh armët bërthamore, por forcat bërthamore morën pikë shtesë.

Komandant Sokoli rrëfen se çfarë ndodhi më 9 maj në Lagjen e Trimave në Kumanovë

Në njërën nga seancat e fundit gjyqësore ku po gjykohen të akuzuarit për rastin “Kumanova- Lagjja e Trimave” është rrëfyer Sami Ukshini, i njohur në opinion si “Sokoli”- nofkë kjo e tij që nga konflikti i vitit 2001.

Ai në detaje para gjykatës ka folur që nga dita e ardhjes së tij në Kumanovë e deri në ditën e 9 majit, kur shpërtheu përleshja e armatosur mes njësitit special të Maqedonisë me grupin e armatosur në Lagjen e trimave- Kumanovë.

Në pyetjen e avokates mbrojtëse Artene Ademi Iseini se kur, pse dhe për çfarë arsye ka ardhur Sami Ukshini në Maqedoni, ky i fundit me përgjigje:

“Arsye ka shumë. Megjithatë, kryesorja është se: këtu kam qenë edhe në vitin 2001 si organizatorë i UÇK-së. Ushtria atëherë u demobilizua si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit, por ajo nuk u respektua asnjëherë e nuk respektohet deri më sot. Në kushte normale duhej të realizohet deri më vitin 2004. Ndodhi e kundërta, ky shtet i fryu nacionalizmit. Kujtoj se unë jam patriot dhe jo shovinist. Arsye tjetër është se i kam njohur disa pjesëtar të grupit. Kam mundur të vijë edhe pas 2004-ës, por këtë e pata lënë si një realitet të hidhur”.

Sami Ukshini – Sokoli në mënyre kategorike ka mohuar se është organizator i grupit.
“Jo! Sikur të kisha qenë organizator, s’do isha këtu. Ka mundur të jetë më keq, ndoshta edhe më mirë, por këtu (në gjykatë) s’do të ishim”, ishte decid Sokoli.

Ai ka folur edhe për kontaktin e parë me grupin, duke mohuar se ka qenë në Gushincë, shkruan gazeta Lajm.

“Jo! Kontaktin e parë me grupin e kam pasur me 26 prill. Shoku im, tashmë i ndjerë, Xhafer Zymberi më ka kontaktuar dhe kërkoi që t’i përkrahë. Pas një presioni pranova t’i përkrahë”.

Sokoli rrëfeu rastin nga momenti kur është zgjuar nga krismat. “Rreth orës 5 e mëngjesit jam zgjuar nga krismat. Kam dalë shpejt dhe kam parë se ka gjuajtje nga të gjitha anët, edhe prej ajrit nga helikopteri. Dëgjoja disa policë duke thënë se janë qëlluar nga snajperistë në këmbë. Snajperistët asnjëherë nuk qëllojnë në këmbë. Shpesh policët që kanë dëshmuar kanë thënë se u është bërë pritë. Nuk bëhet pritë atje ku dikush flenë”.

Ai pranon se ka pasur uniformë të gjelbër me emblemë të UÇK-së. Sokoli potencon se policia nuk i ka paralajmëruar aspak.

“Jo! Arsenali që përdorte njësiti nuk ishte për kontrollë. Dua t’i shpjegoj prokurores se sikur të kishte qenë pritë do të ishin vra më shumë policë. Viktimat mund të kenë qenë vrarë nga vet policia e Maqedonisë. Policia e këtij shteti masovikisht ka sulmuar. Më bazë të plagëve shihet se janë vrarë nga kalibër i rëndë, që ne nuk e kemi poseduar. Unë kam pasur kallash timin personal”, shtoi Sokoli më tutje në rrëfimin e tij.
Duke ritheksuar se ai personalisht nuk është organizator, Sokoli kujton se pyetjes “cili ishte qëllimi që qëndroi nga 3-9 maj” nuk po mund t’i jep përgjigje.

“Këtë pyetje po ia parashtroj vetes tashmë dy vite. Unë s’kam qenë organizator. Më 7-8 maj jam parë me Beg Rizajn dhe Mirsad Ndrecaj u kam thënë se rrezikojmë veten dhe lagjen nëse rrimë këtu. Ata kanë qenë shumë të sigurt në veprimet e tyre. Tre ditët e fundit ka pasur dron, shenj që duhej të lëviznim. Por, ata dy ishin të vendosur se nuk duhet të lëviznim. Nuk më dëgjuan”, pohoi Sokoli.

“Telefonatat që janë prezantuar në gjykatë kanë pasur të ndërruar kohën e kontaktit, disa fare nuk janë prezantuar. Për mua kjo është montim, si i gjithë ky rast. Më keni nxjerrë si të parin. Të kisha qenë organizator nuk kishte me ndodh kjo, s’jam aq naiv.
Shumë prej dëshmitarëve të mbrojtur (policë) kanë zbuluar se 3-4 ditë përpara kanë hyrë në lagje. Policia ka mundur ndryshe ta bëjë operacionin. Policia ka pasur mision për të na likuiduar.”

Kush i ofroi siguri grupit?

Në pyetjen e avokates mbrojtëse Artene Ademi Iseini: “Potencuat se Begu dhe Mirsadi kanë qenë të sigurt, prej nga?”

Sokoli me përgjigje: Kur ju thash se duhet të largohemi më thanë se po frikësohem. Më dhanë një cigare. Më thanë se këtu do të rrimë deri më 19 maj.

Çfarë qëllimi kishin?- vazhdoi me pyetje avokatja.

“Qëllimi ishte Marrëveshja e Ohrit, por jo të kryejmë sulm, siç pretendon policia”
Avokatja: A keni mundur t’i qëlloni policët? Theksuat se i keni parë ditë më parë në lagje.

“Nuk kemi pasur asi qëllimi”, përgjigjet kategorikisht Sokoli.

Avokatja: Kur filloi konflikti a tentuat ta ndalni?

“Unë s’kam pasur telefon sulmi ishte masiv. Kur ndërhyri policia ne mbetëm të ndarë në dy grupe. Mirsadi dhe Begu ishin në grupin tjetër. Në tanë kohën kemi tentuar me mbijetuar. Shefqet Kallaç ka kontaktuar me OSBE. Policia asnjëherë s’ka qenë e interesuar që ne të dorëzohemi. Aty shihet qëlllimi i tyre për të na eliminuar. Ndjej keqardhje për ata që kanë humbur jetën, nga të dy palët.

Në një telefonat është shkëputur pjesa kur Mirsadi thotë që ne të parët të dorëzohemi, e pas 5 minuta edhe grupi tjetër. Dorëzimi, dikur ka ora 19. Pasi që jemi dorëzuar një pjesë policisë deshi të na vrasë, të tjerë të na mbrojnë. Në ndërkohë një polic rastësisht plagos veten dhe një koleg të tij. Pastaj luftimet vazhdonin. Neve na lidhën, na shqelmonin. Më morën mua, Genc Sefaj dhe Valdet Zekaj për t’i thirrur të tjerët që të dorëzohen. Neve na përdorin si mburoja të gjalla. Ne bërtitnim, por kishte krisma dhe s’na dëgjonin. Ora 21:30 janë ndalë gjuajtjet, kam dëgjuar Begun duke bërtitur UçK. Na kanë shtyrë për tokë, na shkelnin nëpër gjithë pjesët e trupit e pastaj na kanë sjellë në Shkup. Gjithë kjo ka ndodhur në një shtet që po pretendon të hyjë në BE dhe NATO”
A do të ishin pasojat më të vogla nëse pranohej paralajmërimi i juaj që të dorëzoheni?- insiston avokatja mbrojtëse.

“Normal, asgjë s’kishte me ndodhë! Pasi që jemi dorëzuar janë vra 5 persona, pastaj ë nesërmen 3 polic. Vet policët janë konfuz, normal gjithë ai sulm, njeriu se kupton se çfarë ka ndodhë. Edhe mua mu ka deshtë kohë që ta kthejë filmin”, u shpreh Sokoli.
Sokoli rikujton se Mirsadi ka qenë kryesori ndërsa Begi zëvendësi i tij.

Sokoli ishte humanist

“Më 2001 kam marrë vendim që të burgosur maqedonas tu dorëzohen ndërkombëtarëve dhe të njëjtit nuk janë keqtrajtuar. Janë respektuar të drejtat e njeriut sipas Konventës së Gjenevës. Të isha kthyer tani në ora 16 të 9 majit, nuk do të isha dorëzuar.

Më 9 maj Valdet Zekaj në ndërkohë më ka thënë se një shtëpie që po i dilte flaka ai kishte parë dy të moshuar dhe më pyeti nëse do të mund të shkonte që t’i shpëtonte. Unë i kam dhënë leje dhe Zekaj i ka shpëtuar që të dy”, tha Sokoli.

Vitin e kaluar në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-maqedonia/komandat-sokoli-rrefen-se-cfare-ndodhi-me-9-maj-ne-lagjen-e-trimave-ne-k-426873/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Zaev – Serbisë: Maqedonia e vendosur për raporte të mira me fqinjët

Republika e Maqedonisë është e vendosur në ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore me Republikën e Serbisë, por edhe më vendet tjera të rajonit. Kështu është përgjigjur Qeveria e kryeministrit, Zoran Zaev lidhur me vendimin e Qeverisë së Serbisë, për të tërhequr të gjithë stafin e Ambasadës së saj në Shkup.

“Qeveria e Maqedonisë mbetet fuqimisht e përkushtuar për zgjidhjen dhe jo krijimin e problemeve, me qëllim forcimin e fqinjësisë, bashkëpunimin dhe partneritetin me Republikën e Serbisë, si dhe me vendet tjera në fqinjësi. Jemi të bindur se kjo është mënyra e vetme që rajoni me vendosmëri të ecë përpara”, ka kumtuar Qeveria.

Në komunikatën e Qeverisë të publikuar sot në Facebook nga kryeministri Zoran Zaev, nuk komentohen akuzat e Beogradit, për siç thuhet, “veprimet e kundërzbulimit ndaj Serbisë” dhe se kush mund të jetë i implikuar në këtë çështje.

Megjithatë siç thuhet në komunikatë, “Qeveria e Republikës së Maqedonisë, duke mos sjellë konkluzione të përshpejtuara, i përshëndet paralajmërimet e Beogradit zyrtar për ruajtjen e marrëdhënieve miqësore dhe për kthimin e gjendjes në korniza të zakonshme”.

Qeveria gjithashtu nuk ka komentuar as mesazhet e shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiç se Serbia mund të ndryshojë politikanë e saj për emrin e Maqedonisë, nëse voton për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Shefi i diplomacisë, Aleksandar Dimitrov i pyetur nëse Maqedonia është përgjegjëse për përpjekjen e re për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ka thënë se “Maqedonia nuk mund të jetë përgjegjëse për çështje që janë shumë të rëndësishme dhe që mund të shërbejnë si grindje tek fqinjët tanë”.

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq para disa muajve kishte deklaruar në Athinë se Beogradi ka gabuar kur në vitet e 90-ta kishte vendosur të njihte Maqedoninë me emrin e saj kushtetues.

Deklarata e Daçiqit kishte të bënte me vendimin e Maqedonisë për të votuar në favor në anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

BETEJA PËR STRUGËN, BETEJË PËR ATDHEUN – Nga AZGAN HAKLAJ

Vota unike e shqiptarëve të Maqedonisë shërbim ndaj Kombit

 

 

Shqiptarët kanë hyrë në Mijëvjeçarin e Tretë, si një komb, të cilit historia i ka caktuar një rol të dorës së parë, nē zhvillimet politike në rajon.
Në ruajtjen e ekuilibrave politikë, etnik, e kulturorë, paqes e stabilitetit në Ballkan.

Ruajtjen në këtë pjesë të trazuar të kontinentit të dy arritjeve më të qenësishme të civilizimit perëndimorë BE-së dhe NATO-s.

Rikthimi i shqiptarëve si popull me një rol të dorës së parë në teatrin Ballkanik dhe Evropian të historisë nuk i befason aspak studiuesit e zellshëm të saj, diplomatët seriozë e vizionarë, aq më pak aleatët tanë të mëdhenj, SHBA e BE.

Këta aleatë e shohin stabilitetin afatgjatë të Ballkanit me Integrimin e tij në NATO e BE, demokratizimin e tij të plotë, politika të fqinjësisë së mirë sëbashku.

Respektimin e plotë e pa kushte të lirive dhe të drejtave të pakicave etnike i shohin si garancinë më të mirë, për sigurinë, mbrojtjen e përbashkët ndaj kërcenimit të ekspansionit politik dhe ushtarak të Perandorisë së Re Ruse dhe aleatëve të saj, të cilët kanë një peshë jo të vogël në zhvillimet e sotme ndërkombëtare.

Edhe përkundër faktit se shqipetarët janë të ndarë në pesë shtete, janë më të ndërgjegjësuar se asnjëherë më parë për identitetin autentik e të lashtë Evropian. Ata janë të vetëtijshëm se historia e tyre nuk është e ndërtuar me mite e gënjeshtra trashanike, si ajo e Greqisë dhe e Serbisë.
Historia jonë është me fakte të pakundërshtueshme, të qarta, kokëforta, aksiometrike.

Një histori e lashtë etniciteti, shtetformimi, kulture e civilizimi, nga i cili buron vetë Qytetrimi Greko-Romak. Ky binom u ba identiteti i Qytetrimit të sotëm Evropian, i demokracisë, së drejtës juridike, e më në fund i filozofisë së besimit dhe iluminizmit në Kontinentin tonë.

Sot, Shqiptarët, kudo që ndodhen në Preshevë, në Mitrovicë, Maqedoni, apo në Mal të Zi, nuk mund të vriten, të dhunohen e dëbohen si më parë me operacione të spastrimit etnik, e aq më pak të pranojnë statusin e qytetarëve të dorës së dytë.

Këto ëndrra të segmenteve të nacionalizmit shovinist, akoma prezente në politikat dhe qeveritë e Beogradit, të Maqedonisë, Malit të Zi apo Greqisë, tashmë janë shuar.

Të bindur se në fushë-betejë nuk përballen me 10 milionë shqiptarë, qarqet antishqiptare sllavo-greke, të dirigjuara nga Moska i janë rikthyer politikës së vjetër: “Përçaj e sundo”.

Pas grushteve të nokautit që morën me skenarët e organizuar, me ndarjen e Mitrovicës, ndarjen e Maqedonisë, në tentativën e grushtit të shtetit në Mal të Zi, e së fundmi skenarin e luftës civile në Shqipëri, ustallarët e vjetër kanë projektuar Strugën si gjah të radhës, ashtu siç e patën projektuar në vitin 2009, por patën dështuar me turp.
Nuk bëhet fjalë për ta sulmuar me avionë, tanke ,apo topa për të vrarë banorët e sajë.

Objektivi i atyre që i kanë bërë hesapet pa hanxhinë, siç thotë një fjalë e urtë popullore, është përçarja e partive politikë shqiptare, dhe e kandidatëve shqipëtarë në zgjedhjet lokale të 15 Tetorit. Me anë të kësaj përçarje dhe shpërndarjes së votave, mendjet diabolike ta shovinistëve maqedonë shpresojnë fitoren ëndrrimtare të tyre.

Kjo do të thotë qeverisja e Strugës shqiptare dhe e banorëve të sajë nga një kryetar sllav (guvernator), politika diskriminuese ndaj shqiptarëve, të cilët janë zotër shtëpie prej mijëra vjeçarësh.

Më në fund ndryshim i strukturës etnike, i emrit dhe i identitetit të këtij qyteti, të cilin për nga rëndësia që ka për kombin, për të sotmen dhe të ardhmen e tij, e emërtojnë “Strasburgu Shqiptar”, që do të çonte
në frenimin e projektit të bashkimit kombëtar.

Po përse eshtë kaq e rendësishme për shqiptarët dhe njëherësh kaq e lakmueshme nga shovinistët maqedonë Struga jonë.

Struga është kërthiza e trojeve etnike shqiptare.

Historia na tregon se këtu janē ndërthurur mbretëritë dhe qytetërimet tona të famshme Iliro-Epirito-Dardane, të cilat kanë shpërndarë dritën e lirisë, qytetërimit e zhvillimit ekonomok e kulturorë në të katër anēt e trojeve Pellazgo-Iliro-Arbërore.

Qytetrimi i Lynkasëve, stërgjyshërve tanë, ka populluar prej mijëra vjetësh Ohrin, Strugën dhe hapësira të gjëra të kësaj treve. Mbi themelet e këtij qytetrimi u krijua Mbretëria Ilire katër shekuj para Krishtit. Mbreti Bardhyl nē moshēn 90 vjeçare printe në ballë të kalorësisë së tij kundër falangave maqedonase .

Beteja për Strugën është aq e vjetēr sa vetë Historia.

Sruga ishte pjesë e Shtetit të Arbrit 800 vjet më parë krijuar nga Progoni me tē bijtë: Gjinin dhe Dhimitrin.

Nga Struga rrjedh Drini. Nga këtu fillon kilometri i autostradës më të gjatë, më të bukur ujore të trojeve shqipëtare, në të dy anët e të cilēs është ruajtur me fort se kudo geni shqipëtar.

Eshtē ruajtur gjuha,liria, gjurmët e qytetrimit Iliro-Arbërorë, e drejta zakonore e shqiptarëve, Eposi i Kreshnikëve, folku dhe mitologjia.
Këtë madhështi na e përshkruan bukur zëri brilant i Shkurte Fejzës:

“Rrugës time për Shqipëri

Më ka përcjellē ai Drini i Zi

E u nisa për me dalë,

Porsi vala e Drinit të Bardhë.

Xhamadani vija-vija

Eshtë Kosova, është Shqipëria.

Rreh si zemër çiftelia:

Sa e madhe është Shqipëria”.

Muaji gusht na kujton Betejën e Ohrit të 15 gushtit 1465, ku Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) i shpartalloi ushtritë e bashkuara turko-maqedone.

Është gushti i Hasan Prishtinës, ideologut dhe prijësit të Kryengritjes së Pavarësisë , i cili nga Shkupi i çliruar nga luftëtarët e Tij,Bajram Currit, Isa Boletinit, nē gusht të vitit 1912 hartoj projektin e shtetit Komb: “Katër vilajetet në njē shtet, me kryeqytet Shkupin”.

Në përpjekjet për çlirim kombëtar e shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Struga dhe Ohri kanë kontribut të shquar.

Veçojmë nga Struga firmētarin e Aktit të Pavarsisë, Nuri Efendi Sejlliun.

Veprimtari i çështjes kombëtare, patrioti, atdhetari doktori i Medicinës, Ibrahim Temo, drejtues i gazetës ” Hereket” – Bruksel (viti 1896), drejtues i gazetës “Sada” (Rumani, viti 1898). Ai ngriti në këmbë Revolucionin Xhonturk për kufizimin e pushtetit absolut të Sulltanit dhe kontriboi për shpalljen e Pavarësisë. Dha kontribut të madh për hapjen e shkollave shqipe dhe mbështeti Alfabetin Latin në Kongresin e Manastirit.

Në Ohër lindi atdhetari e publicisti i Rilindjes Kombëtare, Dervish Hima. Ai është autor i manifesteve radikale për luftë mbarëkombëtare kundër Turqisë, i cili u burgosë dy herë. Kontribuoi jashtëzakonisht në njësimin e Gjuhës Shqipe në Kongresin e Manastirit. Nënshkroi Dekleratën e Pavarësisë, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe u zgjodh antar i Pleqësisë.

Rilindja Kombëtare ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për Çështjen Kombëtare që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Vëllezrit Frashëri janë truri i pregatitjes të Platformës, ku shqiptarët për herë të parë startuan me program të qartë politik, i cili u ba frymëzim për Etërit e Pavarsisë të Shqipërisë. Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Dedë Gjo Luli, Mehmet Pashë Deralla, Luigj Gurakuqi, Vehbi Dibra, Dom Nikollë Kaçorri.

Kontributin e Vëllezërve Frashëri e ka gdhendur në vargje poeti jonë Koçi Petriti:

” Tre Vëllezërit Frashëri

Sa për tre Tomorë.

Në tre kontinente

Shkelin për një Vlorë.

Tomori është Mali Zot i Dodonës Pellazgjike, i Heroit të Betejës së Qerbelasë, Abaz Aliut, të cilin e vizitojnë mijëra peligrinë nga e gjithë bota më dt 20 -25 gusht të çdo viti.

Tomori është Fron i Perëndive.

Aty Zoti flet Shqip me atë gjuhë që ka folë Aleksandri i Madh, Pirroja, mbretërit Bardhyli, Genti e Teuta.

Me këtë gjuhë ka folë shpata e Skënderbeut, pena e Rilindasëve të mëdhenj, gjoksi shkëmb i Mic Sokolit, diplomacia e Ibrahim Rugovës, pushka liberatore e Adem Jasharit, Ramush Haradinajt, Ali Ahmetit.

Është Gjuha Shqipe që po bëhet gjuhē zyrtare në Maqedoni.

Koha kërkon që shqipëtarët të jenē unikë rreth Gjuhēs dhe Flamurit me devizën” “Një komb, një Atdhe, një Shtet”.

Dalja me shumë kandidatë e partive shqiptare nē Strugē dhe në tē gjitha rajonet ku ata janë, e dëmtojnë njëri-tjetrin, është e pafalshme fatale, vetēvrasje politike, dhe një tradhëti ndaj interesave kombëtare.

Unioni Artistik i Kombit Shqiptar u ban thirrje Shqiptarëve atje, partive dhe kandidatëve të tyre, të jenë të bashkuar dhe të vendosur për një kandidaturë konsensuale të provuar që meriton votëbesimin nën Emblemën e Shenjtë, Flamurin Kuqezi.

Ky betim solemn djeg skenarin maqedonas të përçarjes e ndarjes së Strugës nga Veleshta i provuar edhe në vitin 2009, por që dështoj me turp atëherë dhe do tē dështojë dhe tani.

Unioni Artistik i Kombit Shqiptar, i vetëdijshëm për rëndësinë jetike që ka Struga për historinë e sotme e të ardhme të Atdheut tonë u propozoi dhe e finalizuan Trinjakëzimin e Strugës, Sarandës dhe Tropojës.
Ky trinjakëzim është trinom Iliro-Epirito-Dardan, është Trini e Shenjtë, trekëndësh historiko-kulturorë.

Lidhjet e Strugës, të Tropojës Dardane dhe të Epirit të Pirros së Madh kanë ekzistuar nē kordinim prefekt, në bashkëveprim të sinkronizuar sa herë është venë në pikëpyetje liria dhe identiteti ynë.

Mjafton të kujtojmë Besëlidhjen e Lezhës apo vatrat më të shquara kundër Tanzimatit ishin Vilajeti i Shkupit, nën udhëheqjen e Dervish Carës, Vilajeti i Janinēs, nën udhëheqjen e Zenel Gjolekës dhe Rrapo Hekalit, Malësia e Gjakovēs, Tropoja e Dardanisë, nën udhëheqjen e Binak Alisë. Këto kryengritje kishin shpërthyer kur mbarë Evropa shkundej nga Revolucioni kapitalist i vitit 1848.

Shqipëtarët kur të votojnë me dt. 15 tetorë 2017  duhet të kujtojnë vargjet e shenjta tē Hymnit Kombëtar.

“Rreth Flamurit të përbashkuar,

Me një dëshirë e njē qëllim.

Të gjithë atje duke u betuar,

Ta lidhim besën për shpëtim.

Njësitë elite ushtarake të Maqedonisë akoma pa shqiptarë

Edhe pas 25 viteve të themelimit të ARM-së përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në njësitet speciale të ARM-së mbetet tejet vogël.

Edhe zëvendës ministri i mbrojtjes Bekim Maksuti pranon se ky numër vërtet është i vogël dhe zotohet se do të punohet për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike. Megjithatë sipas tij faji nuk qëndron vetëm tek përfaqësuesit politik, por edhe interesimi tejet i dobët i të rinjve për tu përfshi në këto njësite.

“Nëse mund të themi për përqindjen në njësit elitare unë mund të them se është punuar në këtë drejtim, në përmirësim të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve, është fakt që kemi hasur në sfida, në probleme të shumta në këtë drejtim, problemi i parë ndoshta do të ishte se kemi patur shumë pak prurje të ushtarëve të cilët do të ishin paraqitur që të kryejnë një kurs të selektimit, tani pjesa tjetër është, edhe mund të themi që i takon establishmentit që të përkujdeset që përfaqësimi i shqiptarëve gjegjësisht i etniteteve të jetë në nivel të duhur edhe në njësitet elitare.”- deklaroi Bekim Maksuti, zëvendës ministër i Mborjtjes.

Zv/ ministri Maksuti thekson se përfaqësimi i shqiptarëve dhe avancimi i tyre në Ministrinë e Mbrojtjes është i kënaqshëm, megjithatë pranon një pasqyrë e tillë nuk reflektohet në njësitet speciale të ARM-së.

“Sa i takon ingerencave të ministrisë gjegjësisht të Ministrit apo edhe të Zëvendësministrit dhe gjithë ministrisë së mbrojtjes un mund t’ju siguroj se i gjithë personeli shqiptar cvili  ka plotësuar kushtet është I avancuar, numri është I mjaftueshëm në këtë drejtim, për sa I takon avancimeve në ministrin e mbrojtjes mirëpo ndoshta nuk mund të themi një gjë të tillë edhe për në Armat për shkak të asaj se ligji e rregullon që avancimet në armatë deri në gradën Kolonel I kryen Gjeneral Shtabi, neve kemi pasur disa konsultime na është thënë që do të ketë avancime për 8 shtatorin, për 11 tetorin dhe për vitin e ri me të vetmin qëllim që ti ndajnë dhe mos të grumbullohen të gjitha avancimet në këtë drejtim.”- shtoi Bekim Maksuti, zëvendës ministër i Mborjtjes.

Ndryshe në Ministrinë e Mbrojtjes shqiptarët përfaqësohen me rreth 14%, në ARM me rreth 20%. Megjithatë në batalionin e njësitit special “Ujqit” shqiptarët mbeten edhe më tej të papërfaqësuar, 0% , derisa tek “Renxherët” vetëm 0.3% shqiptarë. E vetmja mbetet policia ushtarake ku shqiptarët përfaqësohen me 10 për qind..Alsat-M

Më 15 gusht 2012 u nda nga jeta Arbën Xhaferi, udhëheqës i shqiptarëve të Maqedonisë

Arbën Xhaferi u lind më 24 janar 1948 në Tetovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në vendlindje, kurse studimet në degën e filozofisë i kreu në Universitetin e Beogradit.

Qysh si student u dënua me burg për bindjet e tij politike, organizimin dhe pjesëmarrjen në demonstratat e Tetovës të vitit 1968, për çka u detyrua të kërkojë strehim më të sigurt dhe punë në Prishtinë.

Nga viti 1975 deri në vitin 1990 punoi në Radiotelevizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës i programit të kulturës. Gjatë kësaj periudhe punoi si analist në të përjavshmet “Koha” të Veton Surroit dhe “Forum” të Adem Demaçi, si dhe në disa media të tjera shqiptare dhe të huaja.

Në vitin 1993, Arbën Xhaferi u kthye në vendlindje, për ta vazhduar veprimtarinë e tij intelektuale dhe politike. Në vitin 1994 u zgjodh kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH).

Gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, Arbën Xhaferi dha një kontribut të veçantë, sidomos për nënshkrimin e Marrëveshjes së Prizrenit dhe arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Qasja konstruktive e Xhaferit në atë kohë u përkrah nga faktori ndërkombëtar, duke e legjitimuar luftën e shqiptarëve dhe nisur kështu bisedimet që përfunduan me Marrëveshjen e Ohrit, për ndërrimin e konceptit monocentrik të shtetit.

Pas drejtimit të sukseshëm të Partisë Demokratike Shqiptare për gati një dekadë, në zgjedhjet e parlamentare të 15 shtatorit të vitit 2002 Xhaferi kaloi në opozitë, por postin e kryetarit të partisë (PDSH) e mbajti deri në vitin 2007.

Ai u dallua si politikan i zgjuar dhe intelektual i përmasave kombëtare, i cili la pas vetes një numër të konsiderueshëm shkrimesh publicistike, analiza dhe vështrime politike, intervista, artikuj dhe studime të tjera, të cilat shquhen për thellësinë e mendimit dhe qasjen intelektuale.

Mes tjerash, Arbën Xhaferi dha një kontribut të çmuar edhe për Universitetin e Tetovës dhe afirmimin e tij, duke u bërë pjesë e pandarë e drejtuesve të këtij universiteti, me nënshkrimin e aktit për fillimin e punës së tij, më 17 dhjetor 1994, si dhe pjesëmarrjen në delegacionet e përfaqësuesve të partive politike, asociacioneve jopolitike dhe drejtuesve të Universitetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shkurt të vitit 1995 dhe qershor të vitit 1996, me çka u sigurua përkrahje e gjerë nga SHBA, OKB dhe institucionet tjera relevante ndërkombëtare.

Arbën Xhaferi ka publikuar dy vepra, “PDSH-ja jo në letër”, dhe “Sfidat e Demokracisë në Shtetet Multietnike”.

Arbën Xhaferi ndërroi jetë në Tetovë, më 15 gusht 2012.

* * *Përshkrimi i fotografive nga angazhimi i Arbën Xhaferit për përkrahjen dhe afirmimin e Universitetit të Tetovës:

1. Delegacioni i përfaqësuesve shqiptarë në Nju Jork, qershor 1996: Arbën Xhaferi (PPDSH), Iljaz Halimi (PDP), Myqereme Rusi (LGSH), Shirley Cloyes DioGuardi (LQSHA) dhe veprimtarë të tjerë shqiptarë në SHBA.

2. Ushtruesi i detyrës Rektor i UT-së, Prof. dr. Agni Dika, Arbën Xhaferi (PPDSH) dhe Faik Lita, veprimtar shqiptar në SHBA.

3. Arbën Xhaferi dhe Arben Rusi (në radhën e parë), Prof. dr. Fadil Sulejmani dhe Prof. dr. Agni Dika (në radhën e dytë) dhe pjesëmarrës të tjerë, me rastin e nënshkrimit të aktit për fillimin e punës së UT-së, më 15 dhjetor 1994, në Tetovë.4. Portret i Arbën Xhaferit në kohën kur ishte lider i PDSH-së./Abdulla Memeti/

Më 12 gusht 2001 në mëngjes ndodhi masakra e Lubotenit

Dymbëdhjetë gushti çdoherë për lubotenasit e Shkupit përkujtohet si një ditë e dhembshme, sepse u përkujton masakrën e vitit 2001, kur forcat maqedonase të sigurisë vranë 10 civilë shqiptarë.

Atë mëngjes të 12 gushtit të vitit 2001 u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore – ushtarake në fshatin Luboten ku u vranë dhjetë civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmija 6-vjeçar Erxhan Aliu, si dhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili, njofton Portalb.mk.

Po ashtu u dogjën 14 shtëpi të fshatit, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë të fshatit, me arsyetimin e operacionit se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së. Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.

Johan Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hages me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai tanimë ndodhet në liri pas mbajtjes së 8 viteve burg. Lirimi i parakohshëm i Tarçullovskit, ardhja e tij me aeroplan të Qeverisë, pritja e tij si hero, u vlerësua si vrasje e dyfishtë për familjarët e 10 lubotenasve të vrarë.

Zgjedhjet lokale në Maqedoni, më 15 tetor

Zgjedhjet lokale në Maqedoni do të mbahen më 15 tetor. Kryetari i Kuvendit , Talat Xhaferi, ka dekretuar të dielën datën për mbajtjen e tyre, ashtu siç janë marrë vesh partitë politike pas skadimit të afatit për mbajtjen e tyre në muajin mars.

“Në përputhje me obligimet ligjor si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe në përputhje me afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor i shpall zgjedhjet lokale, të cilat sipas dispozitave ligjore, do të mbahen më 15 tetor 2017”, ka deklaruar Xhaferi.

Ai u ka bërë thirrje partive politike t’i respektojnë procedurat ligjore për të siguruar proces zgjedhor të lirë dhe demokratik.

“Apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, në periudhën para ditës së zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve, të sillen në përputhje me Kushtetutën dhe dispozitat ligjore, ndërsa institucionet kompetente të sigurojnë që i gjithë procesi zgjedhor dhe vetë dita e zgjedhjeve të rrjedhë në atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike, ashtu siç meritojnë qytetarët e nderuar të Republikës së Maqedonisë”, ka theksuar Xhaferi.

Fushata zgjedhore fillon njëzet ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe gjatë kësaj periudhe Kuvendi i Maqedonisë do të punojë, por nuk do të mbajë seanca plenare. Kjo, siç tha kryeparlamentari, bëhet me qëllim që deputetët të kenë mundësi t’i përkushtohen fushatës zgjedhore dhe në të njëjtën kohë të mos krijohet hapësirë që seancat plenare të shndërrohen në fushatë zgjedhore.

Zgjedhjet lokale të 15 tetorit shihen si test në veçanti për partitë politike, në veçanti për LSDM-në dhe VMRO-në, të cilat në zgjedhjet parlamentare kishin thuajse rezultat të barabartë në mandate.

Zgjedhjet do të jenë me interes edhe te partitë shqiptare pas daljes në skenë të partive të reja, të cilat përgjysmuan numrin e mandateve të Bashkimit Demokratik për Integrim. Zgjedhjet lokale do të mbahen në 82 komuna dhe në Shkup, si njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Kadriu: Ky ligj nuk garanton barazi të plotë mes gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase

Në një intervistë për portalb.mk, eksperti i drejtësisë Osman Kadriu, u shpreh se Ligji i ri për gjuhët nuk ofron barazi të plotë mes gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase por është vetëm një avancim në mundësitë për përdorimin e gjuhës shqipe në përgjithësi.

“Ky ligj nuk është i kënaqshëm, unë kam qenë i konsultuar për draftet atëherë kur u përgatit ligji, ata premtojnë se arrihet shumë më tepër se sa duhet të arrihet, por unë gjithmonë kam qenë këmbëngulës që subjektet politike shqiptare sidomos këta që janë participantë në Qeveri e në Parlament duhet ta njoftojnë popullin në formë burimore, populli ka të drejtë të dijë se çfarë premton dhe çfarë garanton ligji, nuk premton dygjuhësi, nuk garanton barazi të plotë mes gjuhës shqipe dhe gjuhës maqedonase dhe nuk garanton gjuhë zyrtare në nivel shtetëror, vetëm kemi avancim në institucione konkrete dhe në një nivel të kufizuar”, thekson Kadriu.

Miratimi i përshpejtuar në Qeveri i Propozim Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni së bashku me parimet ligjore të parapara në planin 3-6-9 që Kryeministri Zaev ka paraqitur ne Bruksel, konsiderohen si parakushte të rëndësishëme për rrugën euro-atlantike të Maqedonisë.Express

Maqedonia, afër zyrtarizimit të gjuhës shqipe

Shkup (Foto nga arkivi)

Qeveria e Maqedonisë i ka dhënë dritën e gjelbër propozimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili do të dërgohet në Parlamentin e Maqedonisë për t’u miratuar.

Ligji për gjuhët ishte pjesë e marrëveshjes ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar, Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Aleancës për Shqiptarët.

“Me këtë ligj do të zgjerohet përdorimi zyrtar i gjuhës, të cilën e flasin së paku 20 për qind e popullatës, që do të thotë se me institucionet, qytetarët do të mund të komunikojnë në gjuhën e tyre amtare”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Ai theksoi se ligji tashmë është dërguar në Parlament dhe pasi të miratohet në institucionin ligjvënës, Qeveria do ta dërgojë dhe në Komisionin e Venedikut.

Zaev deklaroi se ligji është në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë.

Ndërsa, zëvendëskryeministri për sistem politik, Hazbi Lika, tha se ligji i gjuhëve përmbush nevojat e të gjitha komuniteteve, pa e cenuar askënd, dhe shtoi se Qeveria e Maqedonisë me këtë ligj tregon se ka forcë për t’i shtyrë para proceset.

“Ky ligj tani kaloi në Qeveri dhe presim që Parlamenti i Republikës së Maqedonisë ta akceptojë këtë ligj. Presim që deputetët e Republikës së Maqedonisë të reflektojnë ndaj këtij ligji, sepse jemi përpjekur që në të gjitha aspektet t’i mbrojmë dokumentet kryesore të shtetit. Po ashtu, jemi përpjekur të gjejmë dhe mundësinë e realizimit të këtij ligji me qëllim që qytetarët e Republikës së Maqedonisë të mund t’i realizojnë nevojat e veta”, theksoi Lika

Në bazë të propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve në nenin një theksohet se “Në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”.

Në ligjin e propozuar nga Qeveria, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është kualifikuar me formulimin “gjuhën, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës”, duke e futur në kllapa fjalën gjuha shqipe.

“Gjuhë tjetër që e flasin më së paku 20 për qind e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj, në pajtim me këtë ligj”, theksohet në draft-ligjin e bërë publik për mediet.

Ndërkaq, Zeqiria Ibrahimi, zyrta i lartë i Lëvizjes Besa, e cila parti është në opozitë, për Radion Evropa e Lirë tha se për ligjin që rregullon përdorimin e gjuhëve, nuk është konsultuar partia që përfaqëson, megjithëse se a do të marrë mbështetje ligji në fjalë nga pesë deputetët e kësaj partie, do të vendoset pasi ta kenë marrë dhe zyrtarisht tekstin e këtij ligji.

Sipas informacioneve tona, shumica qeveritare vetëm e ka plotësuar ligjin për përdorimin e gjuhës që e flasin komunitetet jo shumicë. Pra, nuk do të kemi ligj të veçantë që e rregullon përdorimin e gjuhës shqipe. Ndërkaq, ne mendojmë se duhet të miratohet një ligj i veçantë vetëm për gjuhën shqipe, i cili nuk e ka për detyrë vetëm një avancim, qoftë të madh ose të vogël, por që synon ta rregullojë përdorimin e gjuhës shqipe sipas shembullit të maqedonishtes. Gjithsesi, nuk po paragjykojmë. Kur të na vijë propozimi, do ta shohim dhe do të vendosim se cili do të jetë vendimi ynë”, tha Ibrahimi.

Mirëpo, VMRO DPMNE-ja e drejtuar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, tha se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë dhe i njëjti nuk do të mbështetet nga kjo parti.

Ndryshe, në bazë të propozim-ligjit që ka marrë vizë nga qeveria e Maqedonisë, gjuha shqipe mund të përdoret “Në të gjitha organet të pushtetit qendror në Republikën e Maqedonisë, institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, drejtoritë, komisionet, personat juridik të cilët kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera”, theksohet në draft ligjin e gjuhëve.

Për atë se a do të marrë shtrirje gjuha shqipe në bankënota dhe uniformat e pjesëtarëve të Armatës së Maqedonisë, do të do të kërkohet vlerësim nga Komisioni i Venedikut.

Partnerët e koalicionit qeverisës në bazë të ligjit që ka marrë vizë nga Qeveria, kanë arritur ujdi që në bankënota të përdoren simbole kulti që do të reflektojnë edhe ato shqiptare.

Përderisa në uniformat e pjesëtarëve tëpolicisë, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve, gjuha shqipe do të figurojë vetëm në ato komuna ku së paku 20 për qind e popullatës e flasin gjuhën shqipe.

Qeveria e Maqedonisë miraton tekstin e ligjit për gjuhët

SHKUP – Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e mbajtur mbrëmë vonë, ka miratuar tekstin e ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Në një kumtesë, Qeveria e Maqedonisë njofton se sot në orët e pasdites, kryeministri Zoran Zaev dhe zëvendës kryeministri përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes Kornizë, Hazbi Lika, në një takim me gazetarë do të njoftojnë për detajet nga teksti i ligjit për përdorim të gjuhëve, i cili është pjesë e harmonizimit të programit kombëtar për miratim të së drejtës së Bashkimit Evropian. aa

Ja prapaskenat: Zaev pranon propozimin e Ramës për emrin e ri të Maqedonisë

Agjencia e lajmeve ruse, “Sputnik” në një shkrim të sajin botuar në formatin serbisht të portalit, shkruan ditën e sotme se në Samitin e Kartës së Adriatikut, mbajtur në Podgoricë është diskutuar edhe për emrin e ri të Maqedonisë, shkruan “Panorama”.

Kështu, sipas “Sputnik”, e cila citon burime konfidenciale brenda delegacionit të Zoran Zaev, kryeministri maqedonas ka pranuar emrin e ri për Maqedoninë, e cila do të jetë Maqedonia Veriore ose Maqedonia e Epërme.

“Sputnik” shkruan se propozimi për këtë emër ka ardhur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një takim me Zaevin në Samitin e Triestes, i ka sugjeruar këtë emër për Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Po kështu, “Sputnik” shkruan se çështja e emrit është edhe kushti që Maqedonia të anëtarësohet në NATO.

Tashmë, pritet që Zaev ta hedhë në referendum emrin e ri të Maqedonisë, duke mbarë mbështetjen e SHBA-ve.

Emri i ri është diskutuar në një debat të gjërë me dyer të mbyllura, në prezencë të Mike Pence, zv/Presidentit amerikan.

Mashtrimi i madh i shqiptarëve të Maqedonisë ka ndodhur më 2 gusht 1944 kur u shpall republika popullore

Mbledhja e KAÇKM-së, e cila është mbajtur më 2 gusht të vitit 1944, dhe aty u vendos që Maqedonia të shpallet shtet federal në kuadër të federatës Jugosllave, ka diskriminuar tej mase popullin shqiptar dhe nacionalitet e tjera në vend.

Kështu vlerëson historiani Qerim Lita, i cili konstatimet e tij i bazon në dokumente të vjetra sot 73 vjet pas kësaj ngjarje historike.

Sipas Litës, në këtë mbledhje të thirrur nga anëtarë të Partisë Komuniste të Maqedonisë, në të cilën nuk ishin të përfaqësuar shqiptarët, u sollën disa vendime dhe një deklaratë që përbëhet prej 10 pikave. Në të nuk përmenden aspak shqiptarët. Sipas kësaj deklarate që posedon Lita në formën e dokumentit të vjetër, në njërën prej pikave të saj shqiptarët përmenden vetëm si pakicë, ku qëndron: “Pakicave nacionale të Maqedonisë u sigurohen të gjitha të drejtat nacionale”. Po ashtu, shqiptarët ishin të përjashtuar edhe në zgjedhjen e organeve të para.

“Kjo ishte një mbledhje thjeshtë ku krijuan shtetin e Maqedonisë ku në këtë Maqedoni iu morën të drejtat kombësive tjera, përfshirë këtu shqiptarëve, turqëve, vllehëve. Por, më së shumti humbën shqiptarët. Për arsye se menjëherë pas KAÇKM-së bën marrëveshje partia komuniste e Jugosllavisë me partinë komuniste të Shqipërisë për dërgimin e brigadave në këto vise sepse pjesa perëndimore e Maqedonisë në atë kohë ishte e bashkuar me Shqipërinë dhe nën kontroll, nën administrimin e Shqipërisë”, ka deklaruar për TV Shenja, Qerim Lita, Historian.

Ai thotë se KAÇKM ka dëmtuar jashtëzakonisht çështjen shqiptare, duke i diskriminuar ata në të gjitha fushat.

“Në vijëmësi shqiptarët nga KAÇKM-ja deri në vitin 1966 ishin të diskriminuar. shqiptarët kishin vetëm një shkollë normale, fillimisht në Tetovë pastaj u vendos në Shkup “Zef Lush Marku”. Nga gjithë territori i Maqedonisë aty regjistroheshin maksimum 60 nxënës. Kishin gjysmë gjimnazi në Tetovë dhe tërë suksesi që u thirrte ish pushteti ishte hapja e shkollave fillore shqipe, edhe atë gjysmake, shkolla 4 vjeçare”, ka shtuar Lita.

Lita më tej shton se pas kësaj mbledhje, në Maqedoninë Perëndimore, e cila në atë kohë administrohej nga Shqipëria, u sollën brigadat komuniste shqiptare. Ajo çka ndodhi pas brigadave jugosllavo-shqiptare, sipas tij, ishte një tmerr i paparë deri në ato momente për shqiptarët, pasi vijuan burgosje dhe vrasje masive të shqiptarëve me urdhër të shtabit të përgjithshëm të frontit nacional shqiptar të Maqedonisë.

“Duhet theksuar se në këtë periudhë shqiptarët u shpallën armiq të ideologjisë komuniste dhe me qenë se këtu ideologjia komunise ishte shumë pak, për të mos thënë fare e shprehur, kishin disa komunist që morën edhe funksione një periudhe. Por të gjithë këta, përveç vrasjeve dhe burgosjeve masive për shqiptarët, edhe komunistët pësuan”, ka thënë Lita.

Në mesin e figurave që kishin pozicione të larta dhe të cilët ndiqeshin nga pushteti, Lita përmend Nexhat Agollin, i cili u burgos dhe u vra, Hamdi Demën, i cili po ashtu u burgos në Prilep dhe u vra, Sali Lisi, u burgos me 20 vite burg dhe të tjerë.

BIA serbe përgatit skenarin për trazira me Maqedoninë

Televizioni serb B92 ka publikuar një shkrim duke iu referuar gazetës serbe Veçernie Novosti, sipas së cilit një raport i shërbimit sekret serb ka ngritur alarmin se shqiptarët po nxisin një konflikt ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë.

Sipas artikullit,” në këtë skenar janë përfshirë shqiptarët por edhe një pjesë e autoriteteve të Maqedonisë”.

Duke cituar shërbimin sekret serb BIA, Vecernie Novosti thekson se “grupe të armatosura shqiptarësh janë infiltruar në zonën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë”.

Duket shumë me spec ky shkrim që ka të gjithë formën e një artikulli dezinformues pasi nuk ka asnjë shenjë që në Maqedoni po përgatitet një trazirë.

Shkrime të ngjashme u botuan në mediat serbe edhe në vitin 2015 përpara ngjarjes tragjike të “Lagjes së Trimave” në Kumanovë.

B92, duke iu referuar Vecernie Novosti-t, gjithsesi thekson më tej se “shqiptarët kanë siguruar ifnormacione të ushtrisë dhe policisë serbe dhe me të cilat do të kryejnë veprime diversioniste”.

Sipas shkrimit në fjalë, “qëllimi i planit është që të krijohen kushte për protesta dhe kundërshti të Shkupit ndaj Beogradit pas veprimit në terren të këtyre grupeve militare, të cilat do të dhunojnë integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë, duke u intpretuar si një rebelim i armatosur”.

Po sipas planit që i referohet BIA-s serbe, “synimi është që “të akuzohet Beogradi për pretendime territoriale”.

Fakt është se kufiri që i referohet gazeta serbe që mund të ndodhin trazirat është praktikisht një kufi mes shqiptarësh. Kjo pasi vija kufitare e Maqedonisë dhe Serbisë ndahet pikërisht në Luginën e Preshevës, fakt ky që ngre një dyshim të madh që shërbimi serb apo bashkëpunëtori i tij më i madh që është inteligjenca ruse, e cila ka qendrën rajonale në Nish, po përgatit një skenar të tmerrshëm që të destabilizojë Ballkanin.

Dhe siç duket, synimi ruso-serb është që të vendosë një njollë të madhe në Preshevë, në mënyrë që nëse nis diskutimi për ndarjen e Kosovës, Presheva të mos hyjë në të, nëse në këtë zonë do të ketë trazira të armatosura.

Por shërbimi serb nuk ndalet këtu. Siç bën të ditur B92, pjesa e dytë e planit që publikon Veçernie Novosti konsiston në arrestime fiktime që autoritetet maqedonase do të nisin ndaj një rrjeti serb në Maqedoni. Këto arrestime do të jenë kundër ish-anëtarëve të forcave speciale dhe shërbimit sekret të kohës së Gruevskit, pra që drejtoheshin nga kushëriri i tij Mijallkov.

Pikërisht kjo pjesë e shkrimit, nxjerr në fakt edhe qëllimin real të gjithë të ashtuquajturit “plan” që publikohet në media nga shërbimi sekret serb.

Duket se bëhet fjalë për një “profilaksi” për të ndaluar arrestimet e ish-agjentëve të Mijallkovit që akuzohen në vendin e tyre për shkelje ligji dhe të të drejtave të njeriut.

Duket se shërbimi sekret i Beogradit frikësohet se nëse happen “petët e lakrorit”, atëhere zbulohet edhe bashkëpunimi i ngushtë i Gruevskit me Beogradin e Moskën për të destabilizuar jo vetëm Maqedoninë por edhe rajonin, vetëm e vetëm që shqiptarët të mos faktorizohen./tesheshi/

Asnjë gjurmë për dy ish-shefat e shërbimit sekret të regjimit të Gruevskit

Dy ish-shefat e shërbimit sekret të Maqedonisë Goran Grujevski dhe Nikola Boshkovski akoma gjenden në arrati. Policia nuk saktëson nëse janë akoma brenda shtetit ose jashtë tij.

Ish-funksionarët e DSK-së nuk janë askund tashmë 5 ditë. Ata i kërkon edhe Interpoli. MPB informon se kanë kontrolluar disa lokacione për të cilat kanë pasur informacione se kanë mundur të fshehen Gruevski dhe Boshkovski, si të akuzuar kryesorë nga PSP-ja në lidhje me hetimin se kush e ka porositur përgjimin masiv të paligjshëm në Maqedoni, shkruan Ina.

Video – Shqiptari rrihet e kërcënohet me vdekje nga pronarët maqedonas në sy të policëve

Një skandal ka ndodhur në komunën e Bervenicës së Tetovës, kur disa maqedonas kanë sulmuar shqiptarin në sy të policëve dhe madje edhe e kanë kërcënuar me vdekje, njofton TetovaSot.

 

Sipas lexuesit i cili edhe ka dërguar videon në redaksinë e portalit TetovaSot, sot në mesditë ka ndodhur një ndeshje në Bërvenicë, ku sipas tij është goditur dhe kërcënuar e fyer, shqiptari nga fshati Çellopek, identiteti i të cilit nuk bëhet i njohur.

Lexuesi, po ashtu thotë se maqedonasit që kanë sulmuar dhe fyer shqiptarin janë pronarë të një garazhi për centrimin e gomave të automjeteve, që sipas tij frekuentohet nga shumë shqiptarë të Pollogut.

Pronarin e automjetit nga fshati Çellopek, policia e ka nxjerrë të pafajshëm dhe kjo ka irrituar tejmase maqedonasit të cilët kanë sulmuar edhe para policëve.

https://www.facebook.com/sharer/sharer.php?u=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FTetovaaSot%2Fvideos%2F1676690889031035%2F&display=popup&ref=plugin&src=video

MË 27 KORRIK 1963 RA TËRMETI NË SHKUP – QYTETIN MË TË MADH SHQIPTAR TË KOHËS

Pasuan shpërngulje masive të shqiptarëve – për të mos u rikthyer më në qytetin e tyre

Më 27 korrik 1963 tërmeti i madh që goditi Shkupin, i cili shkaktoi rreth një mijë e 70 viktima, shkatërroi disa mijëra ndërtesa dhe shtëpi dhe si pasojë ndryshoi hartën demografike të qytetit.

Shumë vende u solidarizuan dhe ndihmuan për rindërtimin e qytetit. Autoritetet e ngritën qytetin e ri në anën e djathë të lumit Vardar, ndërkohë që historianë shqiptarë thonë se shqiptarët e Shkupit ishin ata që u dëmtuan më shumë nga tërmeti i vitit 1963, sepse kjo ngjarje tragjike bëri që mijëra prej tyre të shpërnguleshin për të mos u rikthyer më.

Gjykata refuzon të dërgojë në paraburgim Gruevskin

Një gjykatë në Shkup ka refuzuar të dërgojë në paraburgim ish-kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe katër zyrtarë të tjerë, përpara nisjes së gjykimit të tyre mbi akuzat për mashtrim zgjedhor.

Gjykata e Apelit ka publikuar vendimin në ueb-faqen e saj.

Prokurori special i ka kërkuar gjykatës t’i dërgojë të pandehurit në paraburgim, duke thënë se ata mund të ikin nga Maqedonia ose të ndikojnë te dëshmitarët gjatë gjykimit.

Gjykata, më 3 korrik, vetëm se ka urdhëruar konfiskimin e pasaportës së Gruevskit dhe të katër zyrtarëve të tjerë të partisë së tij VMRO-DPMNE.

Gjykimi i tyre pritet të nisë në shtator ose tetor.

Zaev: po përgatitet ligji për gjuhët

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev bëri sot të ditur se Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur projekt-ligjin për përdorimin e gjuhëve, që parasheh avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe. Zoti Zaev tha se askush nuk humbet me këtë ligj dhe gjithkush ka të drejtë ta ndiejë Maqedoninë si të veten.

Një nga kushtet kryesore të partive shqiptare për të marrë pjesë në koalicionin qeveritar ishte pikërisht përdorimi i gjerë ose zyrtarizimi i gjuhës shqipe në këtë vend.

 

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev konfirmoi të mërkuren se ligjii për gjuhët po përgatitet në Ministrinë e Drejtësisë dhe se qeveria pret ta miratojë atë para zgjedhjeve vendore në vjeshtë. Kështu është emëruar projekt-ligji për shkak të gjuhës shqipe, që në të vërtetë nuk figuron në kushtetutën e Maqedonisë si e tillë, por si gjuha të cilën e flasin të paktën njëzet përqind e popullatës së një komune apo në shkallë vendi.

Zoti Zaev tha se me miratimin e këtij ligji nuk humben votat as të qytetarëve maqedonas e as të atyre shqiptarë. Ai shtoi se gjithkush ka të drejtë për barazi në shoqëri dhe që ta ndiejë Maqedoninë si të veten.

“Nuk bëjmë kalkulime, nuk kemi paragjykime, ndryshimet e ligjit për përdorimin e gjuhëve do t’i bëjmë së shpejti”, theksoi kryeministri Zaev, duke shtuar se kjo çështje nuk i përket vetëm BDI-së, Lëvzjes “Besa”, apo partive të tjera shgqiptare, por edhe Lidhjes Social Demokrate dhe qytetarëve maqedonas.

Ai tha se kjo qeveri synon përmes vendimeve t’i mbyllë çështjet e hapura dhe jo t’i mbajë ato të fshehura. Kryeministri maqedonas bëri të ditur se projekt-ligji do t’i dërgohet Komisionit të Venecies dhe ekspertëve evropianë.

Nga ana tjetër, partia VMRO-DPMNE, mbështetësit e së cilës protestuan për më tepër se dy muaj kundër avancimit të gjuhës shqipe dhe asaj që ata dhe media maqedonase e njohin si platforma e partive shqiptare, apo edhe e Tiranës, së fundmi ka zbutur qëndrimet, duke thënë se partia nuk është kundër gjuhës shqipe dhe se dëshiron të ketë një qasje të re pozitive ndaj shqiptarëve.

Partitë shqiptare në Maqedoni duan që shqipja të ngritet në gjuhë të dytë zyrtare në vend.

BDI-ja, Lëvizja për Reforma, Partia Demokratike Shqiptare dhe Uniteti janë takuar sot me nismën e Rilindjes Demokratike Kombëtare, për të diskutuar mbi kërkesat shqiptare të përfshira në deklaratën e janarit të këtij viti. Takimin e ka bojkotuar Lëvizja “Besa”, drejtuesit e të cilës nuk duan të ulen në një tryezë me BDI-në rivale.


Send this to a friend