VOAL

VOAL

Mbi 170 mjekë kërkuan të largohen nga Maqedonia brenda vitit

Oda e Mjekëve në Maqedoni bën të ditur se nga 280 mjekë, të cilët gjatë vitit 2017 kanë dhënë provimin për licencën themelore për të ushtruar punën si mjek, 173 prej tyre kanë kërkuar që të largohen nga Maqedonia, për të ushtruar profesionin si mjek në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian, me theks të veçantë në Gjermani.

Nga Oda e Mjekëve thonë se këto të dhëna janë alarmante, ngase me këtë dinamikë të largimit të mjekëve nga vendi, për shtatë vjet Maqedonia do të përballet me probleme serioze sa i përket kuadrit mjekësor.

“Nga analizat tona del se shkaqet që çojnë në largimin e mjekëve nga Maqedonia, janë të shumta. Fillimisht, si më problematike do të fokusoja mosrespektimin e profesionit mjek. Pagat janë jashtëzakonisht të ulëta krahasuar me vitet e shkollimit dhe mundin që e japin derisa specializohen në një lëmi të caktuar. Njëherësh, në largimin e mjekëve nga vendi ndikojnë dhe trysnitë që bën politika dhe strukturat e ndryshme shtetërore në punën e mjekëve”.

“Të gjitha këto elemente bëjnë që mjekët e rinj të mos ndihen aspak rehat në ushtrimin e profesionit të tyre , të mos shohin perspektivë sa i përket avancimit të tyre në aspektin profesional dhe fatin e tyre ta kërkojnë diku jashtë Maqedonisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ylber Besimi, nënkryetar i Odës së Mjekëve të Maqedonisë.

Ndërkaq, kryetarja e Shoqatës së mjekëve, të cilët punojnë në sektorin privat, Lilija Çollakova, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, konsideron se nevojiten reforma thelbësore sa i përket pagesës së mjekëve veçanërisht në mjekësinë primare ngase pagat janë shumë jomotivuese për mjekët e rinj.

Spitali në Bitolë (Foto nga arkivi)
Spitali në Manastir (Foto nga arkivi)

​“Me çdo kusht duhet të krijohen kushte që mjekët e rinj të mbeten në Maqedoni, të ndërpritet ky largim masiv i kuadrit mjekësor në çdo pjesë të Maqedonisë.

Përderisa një mjeku, për t’i përfunduar studimet i nevojiten gjashtë vite dhe një vit stazh për t’u pajisur me licencë pune, në anën tjetër paga fillestare në disa konkurse të ordinancave private shohim se është vetëm 250 euro, kjo është skandaloze”, shprehet Çollakova.

Lidhur me këtë ministri i Shëndetësisë në Maqedoni, Venko Filipçe, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ditë më parë ka theksuar se institucioni që drejton, është duke bërë përpjekje maksimale që t’i rrisë pagat e mjekëve dhe personelit mjekësor.

Nga dikasteri i shëndetësisë, kanë bërë të ditur se si fillim planifikohet që pagat e mjekëve të rriten për 5 për qind, ndërkohë që me rebalancin e buxhetit planifikohet të rriten dhe pagesat për kujdestari për të gjithë personelin mjekësor.

Ministri Filipçe ka thënë se pagat e ulëta nuk janë arsyeja e vetme që bën të largohen mjekët nga Maqedonia. Sipas tij, problematikë më vete është edhe funksionimi i sistemit në shëndetësi për të cilin tha se bëhen përpjekje maksimale që të përmirësohet.

Ai ka paralajmëruar se për rikualifikimin e kuadrit mjekësor, do të angazhohen mjekë profesionistë nga vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian.

Por, nga Oda e Mjekëve thonë se mjekët nga Maqedonia me dijen e fituar gjatë shkollimit arrijnë të jenë konkurrues në tregun evropian, mirëpo, sipas tyre, problem paraqet sistemi shëndetësor, i cili është jofunksional dhe i njëjti, për çdo problem fajëson mjekët.

“Kolegët tanë, mjekët e rinj nga Maqonia janë konkurrent në tregun e punës në vendet e BE-së , përkatësisht në Gjermani aty ku është fluksi më i madh i imputit të mjekëve nga e gjithë bota, ata gjejnë vendin e tyre atje. Kjo tregon se ata kanë një përgatitje të mirë në aspektin profesional që i bën konkurrues në tregun evropian, përderisa të njëjtëve nuk u jepet mundësia që të avancohen në aspektin profesional“, thotë Ylber Besimi.

Ai nënvizon se tanimë, Oda e Mjekëve i ka propozuar dikasterit të shëndetësisë dhe komisionit përkatës parlamentar një draftligj për mjekët, në të cilin me saktësi definohen të gjitha të drejtat dhe obligimet, e mjekëve dhe pacientëve.

Largimi i mjekëve nga Maqedonia ka bërë që mosha mesatare e mjekëve në Maqedoninë perëndimore të jetë 57 vjet, kurse në Maqedoninë lindore mosha mesatare e mjekëve është 60 vjeç, që del se mjekët janë vetëm dy ose katër vjet para pensionimit.

Mjekët specialistë në institucionet terciare në Maqedoni marrin rreth 30 mijë denarë përkatësisht 500 euro rrogë. Përderisa mjekët specialistë gjatë një kujdestarie prej 24 orësh marrin maksimum 1 mijë denarë, përkatësisht rreth 15 euro.

Juncker: Maqedonia është në rrugën e duhur

“Ne nuk erdhëm për të shpallur një datë për bisedime, por për të njoftuar se jeni në rrugën e duhur dhe vazhdoni në atë rrugë të reformave”, tha Juncker

SHKUP – Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, i cili është në vizitë në Republikën e Maqedonisë, u takua me Kryeministrin Zoran Zaev. Pas konferencës së përbashkët për media Juncker theksoi se nuk ka ardhur për të njoftuar një datë për negociata, por të tregojë se Maqedonia është në një rrugë të mirë, në të cilën duhet të vazhdojë më tej në mënyrë që të mund të marrë rekomandim të nevojshëm.

“Ne nuk erdhëm për të shpallur një datë për bisedime, por për të njoftuar se jeni në rrugën e duhur dhe vazhdoni në atë rrugë të reformave, për disa muaj do t’i mundësoni Komisionit Evropian në Këshill të rekomandojë fillim të negociatave për inkuadrim”, tha Juncker.

Presidenti i Komisionit Evropian vuri në dukje se Maqedonia është pjesë gjeografike e Unionit dhe pjesë e historisë evropiane. Sipas tij, Republika e Maqedonisë e kuptoi se BE-ja nuk është vetëm një bashkësi e interesave ekonomike, por një bashkësi e vlerave të barabarta.

“Vendi juaj ka bërë përparim që do ti mundësojë asaj edhe më shumë të afrohet me BE-në. Ju zbatuat reforma të cilat e befasuan botën. Me Bullgarinë ju arritët të përfundoni një marrëveshje miqësore që rriti reputacionin e vendit tuaj”, tha Juncker.

Në fjalën e tij, ai gjithashtu iu referua edhe kontestit të emrit midis Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë dhe tha se kjo është çështja që mbetet për t’u zgjidhur nga Maqedonia dhe Greqia.

“Sa i përket emrit të vendit, nuk do të doja të thoja asgjë, sepse ju takon juve ta zgjidhni problemin me miqtë tuaj grekë. Unë të premten e kaluar gjatë Këshillit Evropian në Bruksel, bisedova me kryeministrin Tsipras dhe i thashë atij të qëndrojë në rrugë që ka nisur”, tha Juncker. Ai vuri në dukje se sapo mbërriti në aeroport në Maqedoni, siç tha, ka vënë re se diçka ka ndryshuar në krahasim me gjendjen e përgjithshme dhe gjendjen e mëparshme.

Ai shtoi se Maqedonia ende duhet të punojë në zbatimin e reformave dhe duhet të mbetet e angazhuar në këtë drejtim.

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, theksoi se me Strategjinë, Komisioni Evropian konfirmon të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë si një pjesë gjeografike e Evropës që do të bëhet pjesë e strukturës politike të Bashkimit Evropian. Sipas tij, në vendin e duhur është përcaktimi i Unionit se duhet të jetë më e fortë para se të bëhet më e madhe ndërsa Republika e Maqedonisë është e gatshme të kontribuojë në këtë drejtim.

“Nga ana jonë, ne afirmojmë dëshirën dhe përkushtimin e fortë për reforma të thella të brendshme pa vonesë me lidership dhe vendosmërinë për të qenë një pjesë kyçe e rrugës drejt anëtarësimit tonë në BE. Aderimi i Republikës së Maqedonisë në BE drejtpërsëdrejti ndikon në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ne dhe të gjithë qytetarët e kuptojmë se sa më të suksesshëm të jemi në realizimin e planit të brendshëm të reformave, sa më shpejtë që të bashkohemi me BE-në aq më shpejtë do të përmirësohet jeta e përditshme e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha Zaev.

Ai shtoi se Maqedoninë e presin edhe disa aktivitete të tjera të rëndësishme që 2018, siç tha ai, të jetë një vit historik për Maqedoninë, duke shprehur shpresën se Raporti i Komisionit Evropian do të shënojë progresin e bërë nga Qeveria në axhendën e reformës së brendshme.

Zaev për kontestin rreth emrit: Për Qeverinë e Maqedonisë i pranueshëm, emër me përcaktim gjeografik

Kryeministri Zaev tha se mbyllja e çështjeve të hapura që kanë qenë një kohë të gjatë nuk është një lëvizje e thjeshtë, bëhet fjalë për çështje të ndjeshme për qytetarët e Maqedonisë. Ai porositi se ekziston një inkurajim nga Marrëveshja për miqësi me Bullgarinë dhe se Maqedonia vazhdon me një angazhim serioz për tejkalimin e çështjes kryesore – zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Së bashku me kryeministrin Tsipras, punojmë për të mbyllur këtë problem të gjatë dhe të dhimbshëm, zgjidhja e të cilit do të hapë rrugën për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO ndërsa kjo për qytetarët tanë do të thotë të sigurohen investime të reja, vende të reja pune, paga më të larta dhe një jetë më të mirë për qytetarët”, tha Zaev.

“Lidhur me këtë problem, për Qeverinë e Maqedonisë është i pranueshëm emër me përcaktim gjeografik që do të bëjë dallim midis shtetit tonë dhe rajonit në Greqi. Megjithatë, insistojmë në një zgjidhje që do të lejojë mbylljen e përhershme dhe të qëndrueshme të kontestit duke respektuar dinjitetin dhe identitetin e të dy kombeve dhe të dy vendeve. Është detyra jonë të marrim përgjegjësinë për këtë mundësi historike për të zgjidhur këtë çështje të hapur midis dy vendeve”, theksoi Zaev.

Gjithashtu, Zaev shprehu besimin se Samiti i ardhshëm i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të krijojë një axhendë inovative sipas shembullit të Samitit të Selanikut i cili do të trasojë qartë rrugën e para-pranimit në BE bazuar në propozimet e strategjisë.

Kryeministri Zaev tha se është i bindur se në qershor të vitit 2018 Këshilli do të vendos për fillimin e negociatave për fillimin e bisedimeve inkuadruese me Bashkimin Evropian. aa

“Aleksandri i Madh”, largohet nga aeroporti i Maqedonisë

Sot është hequr emri i Aleksandrit të Madh i cili dhjetë vite qëndronte mbi objektin e aeroportit të Shkupit. Shërbimet me shumë kujdes një nga një i larguan shkronjat e emrit nga terminali. Për momentin nuk dihet kur do të vendoset emri i ti “Aeroporti ndërkombëtar Shkup”. Nga koncesioneri turk TAV thonë se ata veprojnë sipas instruksioneve që i marrin nga Qeveria.

Jozyrtarisht burime nga TAV – Maqedoni thonë se përveç emrit, nga hapësirat e aeroportit në të ardhmen do të hiqet edhe përmendorja e Aleksandrit të Madh, ndërsa do të ndryshohet edhe faqja e internetit të aeroportit. Për momentin nuk tregojnë se kur do të realizohen këto ndryshime. Ata nuk kanë informata edhe për atë se kur do të vendoset emri i ri në vend të emrit të vjetër. Për ndryshimin e emrit sot i pyetëm se çfarë mendojnë disa nga pasagjerët që i takuam në aeroport.

“Mendoj se mirë është që nga ana jonë shtrijmë dorën dhe themi se jemi të gatshëm të zgjidhet dhe tejkalohet problemi. Tani gjithsesi, politikanët janë ata që mes tyre duhet t’i zgjidhin dhe tejkalojnë problemet”.

“Ndoshta do duhej të quhej “Greqia” që t’u hakmerremi grekëve për Selanikun sepse aeroporti i atjeshëm quhet Maqedonia. Por ne do ngelemi maqedonas”.

“Jo vetëm ky, por duhet të ndërmerren edhe hapa tjerë dhe njëherë e përgjithmonë të zgjidhet problemi. Ne më të moshuarit e kaluam jetën, por për të rinjtë duhet të ketë jetë”.

Gjatë ditëve të kaluara u larguan edhe tabelat përgjatë “Korridorit 10”. Drejtori i ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore, Zoran Kitanov thotë se tashmë po bëhen gati tabelat e reja ku emri i Aleksandrit të Madh do të zëvendësohet me “Miqësia”. Ndryshe, ndryshimi i emrave të aeroportit dhe autostradës është shenjë e vullnetit të mirë nga Qeveria e Shkupit për përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë fqinje gjatë bisedimeve për zgjidhjen eventuale të çështjes së emrit. Mes mysafirëve të parë të lartë të cilët do të aterojnë në aeroportin e riemëruar do të jetë ministri i jashtëm grek, Nikos Kocijas, njofton Alsat M.

Rasti Almiri, nga vrasje përfundon në aksident

Vrasja e qëllimshme e vogëlushit Almir Aliu do të përfundojë si “aksident komunikacioni”, ndërsa dorasi Boban Iliq, do t’i shpëtojë dënimit të merituar.

Është vet kryeprokurori Lubomir Jovevski ai i cili para deputetëve të Maqedonisë, në seancën e pyetjeve drejtuar zyrtarëve qeveritar, ka konfirmuar se lënda për vrasjen e 4-vjeçarit nga Kumanova, Almir Aliu, më 25 qershor të vitit 2016, do të përfundojë si “aksident komunikacioni”.

Për rikualifikimin e lëndës, Jovevski fajin ia ka hedhur ish-kryeprokurorit Marko Zvërlevski, për të cilin tha se vendimi është marrë njëherë në Prokurorinë publike, ndërsa më pas është votuar në Prokurorinë republikane.

“Vendimi për rikualifikimin e këtij rasti është marrë në Prokurorinë Publike që para se unë të emë- rohesha si kryeprokurorë publik. Më pas lënda është dërguar në Prokurorinë Republikane, ku edhe është votuar për rikualifikim nga ‘vrasje’ në ‘aksident në komunikacion’. Ky vendim është marrë për shkak të pamundësisë për të përcaktuar paramendimin në vepër tek i akuzuari për vrasje”, tha Jovevski në pyetjen e deputetit të Lëvizjes BESA, Rexhep Memedi.

Me të marrë këtë përgjigje, deputeti Memedi i kërkoi Jovevskit të mos e ndjek rrugën e paraardhësit të tij, Marko Zvërlevski, si dhe të merret parasysh aktakuza për “vrasje” të vogëlushit dhe jo “aksident komunikacioni”, siç ka vendosur tashmë Prokuroria.

Protesta në Shkup, kërkohet zbardhja e “rasteve të montuara gjyqësore”

Organizatorët kërkuan rigjykimin e rasteve, të cilat sipas tyre janë “aktgjykime të fabrikuara në bazë të dëshmitarëve të fshehur”

SHKUP – Me iniciativë të Shoqatës së të burgosurve politikë shqiptar në Maqedoni dhe familjarëve të të akuzuarve në rastin “Lagja e Trimave”, dhjetëra qytetarë shqiptarë u tubuan në sheshin “Skenderbe” në Shkup për të shprehur revoltën e tyre kundër proceseve gjyqësore, sipas tyre të montuara dhe të fabrikuara, ku dënime kanë marrë qytetarë shqiptarë.

Organizatorët të cilët ishin tubuar nën moton “E vërteta në shesh, në burg dergjen njerëz-prindër të pafajshëm” kërkuan rigjykimin e rasteve, të cilat sipas tyre janë “aktgjykime të fabrikuara në bazë të dëshmitarëve të fshehur dhe të shpikur si dhe kundër dhjetëra shkeljeve procedurale në sjelljen e vendimeve për burg të përjetshëm për dhjetëra shqiptarë”.

Sipas kreut të Shoqatës së të burgosurve politikë shqiptar, Shpëtim Pollozhani, gjykatat e Maqedonisë janë të korruptuara. Ai theksoi se kërkojnë rigjykimin e rasteve dhe njëkohësisht gjykata të marrë parasysh dëshmitarët e propozuar nga pala mbrojtëse.

Pollozhani në vazhdim theksoi se protestojnë edhe për kushtet mizore në burgjet e vendit, për të cilat, siç tha ai, përveç mungesës së kushteve themelore për jetesë në burgje mbizotëron edhe korrupsioni, ku të burgosurit paguajnë para për të mbijetuar.

“Apelojmë deri te Ministria e Drejtësisë dhe institucionet që financojnë përmirësimin e kushteve nëpër burgje, institucionet ndërkombëtare, të ndalet korrupsioni në burg dhe institucionet të merren me amnistinë, me falje, zbritje të dënimit, dënimit me kusht, përsëritje të gjykimit… dhe, me këtë të mos merren të burgosurit e ndërmjetësuar dhe të punësuarit e korruptuar”, deklaroi Pollozhani.

Pas fjalimeve të disa organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë, protestuesit marshuan deri para ndërtesës së Gjykatës së Apelit – Shkup. Pas disa minutave brohoritjesh para ndërtesës së Gjykatës së Apelit, protestuesit u shpërndanë në mënyrë të qetë.

Protesta të këtilla pati edhe në fund të vitit të kaluar, kur protestuesit kërkuan rigjykimin e rastit “Lagja e Trimave”, vendim i cili sipas tyre është “i montuar politikisht”.

Ndryshe në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale e Shkupit shqiptoi aktvendimin për 37 të akuzuarit të grupit të armatosur të Kumanovës për ngjarjet e vitit 2015 në “Lagjen e Trimave”. Tetë të akuzuar u dënuan me burg të përjetshëm, katër të tjerë u shpallën të pafajshëm, ndërsa pjesa tjetër morën dënime prej 12 deri në 40 vjet burg.

Të dënuarit u akuzuan për veprën penale “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”. Prej të akuzuarve të cilët u ngarkuan me veprën penale “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”, 16 janë shtetas të Kosovës, një shtetas i Shqipërisë, një shtetas i Gjermanisë, ndërsa pjesa tjerët janë shqiptarë nga Maqedonia.

Kujtojmë se më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur u përlesh me forcat e sigurisë maqedonase. Gjatë përleshjeve u vranë tetë policë të forcave speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe 40 të tjerë u plagosën. Në përleshje, po ashtu u vranë edhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur. aa

Kjo është partia e parë në Maqedoni që e mban flamurin rus në seli! (FOTO)

Partia Lëvizja Popullore për Maqedoninë, e udhëhequr nga Janko Baçev është partia e parë në Maqedoni që mban flamurin rus në selinë e saj.

Bëhet fjalë për parti ultra-nacionaliste që udhëhiqet nga një ish agjent i shërbimit sekret.

Flamurin rus ai e ka nxjerrë në ballkonin e selisë partiake bashkë me flamurin e partisë, transmeton Gazeta Lajm. Për dallim prej partive tjera maqedonase, LPM nuk mban flamurin shtetëror të Maqedonisë, por flamurin e mehershëm të vendit me yllin e Verginës, që u ndryshua me insistim të Greqisë.

Befason Zaevi: Unë jam shqiptar ortodoks!

MAQEDONI-Pas lajmeve se zv/kryeministrja dhe zv/kryetarja e LSDM, Radmilla Sheqerinska ka prejardhje shqiptare, mediat e afërta me VMRO e kanë shpallur shqiptar ortodoks edhe kryeministrin e vendit Zoran Zaev, shkruan INA.

“Unë kam prejardhje shqiptare ortodokse, si nga gjyshja ashtu edhe nga gjyshi që nga Ilirët e Strumicës që kur pranuan besimin ortodoks. Me kalimin e kohës, sllavët, kryesisht me dhunë na asimiluan dhe imponuan gjuhën maqedonase. Mirëpo e gjitha kjo është histori. Unë fal dhe duhet t’i harrojmë ato gjëra tani dhe duhet do të ndërtojmë një shoqëri dhe jetë për të gjithë. Nuk di të flas në gjuhën shqipe pasi shqipen nuk e kan gjuhë amë, por gjuhën e stër-stër-stër gjyshërve, por nuk ka rëndësi si flasim, por si ndjehemi. Unë ndjehem shqiptar ortodoks.

Më shumë se 25 milionë shqiptarë ortodoksë jetojnë në Ballkan, kryesisht në IRJM, Greqi, Shqipëri dhe Serbi. Kjo është arsyeja pse ne kuptojmë me lehtësi grekët. Gruevski ishte fashist dhe etnikisht i pastër, dhe me një njeri të tillë nuk mund të negociohet”- ka thene Zaev.

Untitled-3

(BalkanWeb)

Kush ishin mercenarët rusë që luftuan kundër shqiptarëve në Likovë?

Filip Trajkovski ka falënderuar mercenarët rus të cilët ndihmuan Maqedoninë në luftën e vitit 2001 në rajonin e Likovës.

“Vullnetarët rus në anën e Maqedonisë, derisa sa NATO i ndihmonte banditët shqiptarë. Komandosët rus ndihmuan Maqedoninë. Një faliminderim i madh për të gjithë vullnetarët rus, posaqërishtë për Anatoli Lebet Tolja”, është shprehur ai.

Ndërkohë, ndaj këtij shkrimi ka reaguar Xhem Llamallari, i njohur si komandant Baruti.

“Forcat Sllave të sigurimit për betejën e lavdishme të Mateqit kishin deklaruar se kanë humb 10 ushtarë dhe 12 policë, kurse 64 u jan plagosur…Njejtë edhe për betejën madhështore të Haraçinës, se gjoja kan humb vetëm disa policë.

Gjithmonë, luftëtarët më eminentë të UÇK’së e kanë deklaruar se në anën Maqedone aktiv kanë qenë të kyqur grekët, rusët, moldavët, rumunët dhe Çetnikët, dhe se shumë të vrarë e të coftë janë nga këto shtete Barbare….Sot, vet e konfirmojnë ajo pjesë e frigacakëve që kanë mbetur gjallë”, është shprehur Baruti./INA

Çfarë duhet të dinë shqiptarët për çështjen e emrit të Maqedonisë – Nga Abdulla Mehmeti

Maqedonia nga viti 146 para erës sonë deri në shek.VII të erës së re ka qenë provincë ilire

Maqedonia, në shek. III dhe IV, ka qenë provincë e ndarë në dy pjesë, Maqedonia Prima, (pjesa jugore me kryeqytet Selanikun) dhe Maqedonia Salutaris (Sekonda) në veri, me kryeqytet Stobin.
Maqedonia Prima dhe Maqedonia Sekonda (Salutaris) kanë qenë të përfshira në kuadër të Dioqezës së Maqedonisë, një nga tri dioqezat në kuadër të Prefekturës së Ilirikut, të krijuar në vitit 318.
Pas ndarjes së Prefekturës së Ilirikut në Iliriku Perëndimor dhe Iliriku Lindor, më 379, krahina e Maqedonisë u bë pjesë e Ilirikut Lindor.

Me ndarjen e Perandorisë Romake në atë lindore dhe perëndimore, më 395, Maqedonia bëhet pjesë e Perandorisë Bizantine, nën të cilën nuk është përmendur asnjëherë emri i Maqedonisë si krahinë e veçantë, mbi 1 mijë e njëqind vjet me radhë.

Edhe gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, mbi 500 vjet, ky rajon gjeografik nuk është përmendur asnjëherë me emrin Maqedoni, por me emra të tjerë, si Rumeli, ose një pjesë e saj si Thraki.

Për herë të parë në fund të shek. XIX, të nxitur nga Bullgaria, disa grupe ilegale dhe qarqe politike jashtë krahinës së Maqedonisë, në Bullgari dhe Rusi, e ringjallën idenë për maqedonizmin dhe Maqedoninë (në vitin 1893 u krijua organizata e fshehtë OBRM/VMRO në Selanik), kurse në fillim të shekullit XX kjo lëvizje ka kërkuar një formë autonomie në kudër të Perandorisë Osmane, me kryeqytet Selanikun, e asnjëherë nuk ka shprehur pretendime për territoret që përfshin Maqedonia e sotme, e cila është krijuar me mbi 50% të territorit të saj në trojet etnike shqiptare, me shumicë të popullsisë autoktone shqiptare deri në vitin 1913.

Për herë të parë Maqedonia u njoh si njësi e veçantë teritoriale-politike, me urdhër të Kominternit, si republikë socialiste (popullore) e Maqedonisë nën ish Federatën Jugosllave, e krijuar në vitin 1944, kur edhe filloi të krijohet gjuha e veçantë maqedonase dhe të afirmohet kombi i ri maqedonas, i cili vazhdimisht është kontestuar nga fqinjët, serbët, bullgarët dhe grekët. Ky qëndrim i shteteve fqinje vazhdon edhe sot, siç është kontesti për emrin kushtetues të shtetit të Maqedonisë nga Greqia, i cili zgjat mbi njëzet vjet, pas pavarësimit të Maqedonisë më 1991 e deri sot.

Ndërroi jetë zyrtari i BDI-së, Ademi

Pas një sëmundjeje të rëndë, mbrëmë ka ndërruar jetë Abdilaqim Ademi, ish-zyrtar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe bartës i posteve të larta qeveritare në Maqedoni. Ai ishte 48 vjeç.

Nga viti 2008 deri 2011 ishte zëvendës-kryeministër i ngarkuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Më pas kreu detyrën e ministrit të Ambientit jetësor dhe atë të ministrit të Arsimit.

Z. Ademi ishte deputet i BDI-së menjëherë pas themelimit të partisë, nga viti 2002 – 2006.

Ai la pas gruan dhe një djalë. Varrimi i Abdilaqim Ademit bëhet të premten në vendlindjen e tij, Shemshovë të Tetovës.

Në rigjykimin e rastit “Monstra” kërkohet përfshirja e Speciales

Zërijeta Hajro Jajaga – Seanca gjyqësore për rigjykimin e rastit “Monstra” kundër të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë në liqenin Smillkovës, pas vërejtjeve të avokatit mbrojtës është shtyrë për datën 14 mars.

Ndryshe, rigjykimi për rastin “Monstra”,vjen me kërkesë të Prokurorisë Publike, pas anulimit të akt-gjykimit të shkallës së parë dhe asaj të dytë, pas çka, të dyshuarit në dhjetor të vitit të kaluar u lanë të mbrohen në liri.

Prokurori Publik, Naum Panovski tha se Prokuroria vazhdon t’i akuzojë të pandehurit për veprën terrorizëm, për vrasjen e katër të rinjve maqedonas dhe një peshkatari në afërsi të liqenit të Smillovës.Në baë të kësaj akuze, gjashtë të dyshuarit : Alil Demiri, Haki Aizir, Fejzi Aziri, Sami Luta, Afrim Ismajloviq dhe Agim Ismajloviq, u dënuan me burgim të përjetshëm.

Ndërkaq, avokati mbrojtës Naser Raufi është shprehur optimist se deri në seancën e radhës, Prokuroria Publike do ta tërheqë akuzën. Ai njëherësh ka kërkuar që ky rast të kalojë nga Prokuroria Publike në duart e Prokurorisë Speciale Publike (PSP).

“Rasti në fjalë tashmë një vit është duke u shqyrtuar nga PSP-ja dhe vlerësojmë se është e nevojshme”, ka theksuar avokati Naser Raufi.

Në anën tjetër, familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra” vlerësojnë se një gjykim i dejtë dhe transparent mund të realizohet vetëm nëse ky rast kalon në duart e Prokurorisë Speciale Publike.

Fezi Ajdari nga Këshilli i familjeve të të akuzuarve për rastin “Monstra” thotë se në bazë të provave me të cilat disponon Specialja, do të dëshmohet pafajësia e të gjithë të akuzuarve.

“Kisha dashur që të inkuadrohet dhe Prokuroria Speciale dhe t’i bashkëdyzojë argumentet me Prokurorinë Publike, dhe përfundimisht të tërhiqet aktakuza. Sepse e pamë se aktakuza nga Prokuroria Publike ishte e njëjtë siç ishte herën e parë, ndërkohë që Gjykata Supreme në fund të vitit të kaluar solli vendim për shfuqizimin e aktgjykimeve të shkallës së parë dhe asaj të dytë”, tha Ajdari.

“Shpresoj se deri në seancën e radhës, organi i akuzës do të tërheqë këtë aktakuzë dhe akuzën e njëjtë do ta përfaqësojë Prokuroria Speciale, e cila tashmë për disa muaj që punon në përgatitjen e saj”, thotë ai.

Njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor mund të kthehet vetëm nëse rastet e ndjeshme, siç është “Monstra”, e cila u përcoll me reagime dhe protesta të shumta dhe nga opinioni, do të zhvillohet përmes një procedure transparente me përfshirjen e Speciales.

Sot mbahet seanca gjyqësore për rastin e Almirit

Sot në Gjykatën Themelore në Kumanovë pritet të mbahet seanca e radhës për rastin e 4-vjeçarit, Almir Aliut. Seanca paraprake ishte shtyrë për shkak të mungesës së njërit prej avokatëve.

Sipas Alsat-M, edhe seanca e sotme është caktuar pa harmonizimin e qëndrimeve mes prokurorëve të prokurorisë së lartë dhe asaj republikane të cilët mbeten të ndarë në vlerësime sa i përket ngritjes së akuzës për autorin e veprës.

Prokurorët shqiptar kanë kundërshtuar propozimin e këshillit penal në Kumanovë që lënda të rikualifikohet nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”. Por propozimin për rikualifikimin e lëndës e kanë mbështetur prokurorët maqedonase gjë që ka çuar në ndarjen e tyre në baza etnike. Në seancën e kolegjit në Prokurorinë e Lartë dhe më pas në atë Republikane, 4 prokurorët shqiptar u mbi-votuan nga 6 prokurorët maqedonas, në anën e të cilëve ishte edhe kryeprokurori i ri.

Informacionet për rikualifikimin e mundshëm të rastit të Almirit kanë nxitur reagime në opinion. Para Prokurorisë Publike një numër i konsiderueshëm i qytetarëve shprehën pakënaqësinë e tyre në formë proteste, duke vendosur lule të bardha, fotografi të Almirit dhe pankarta me mbishkrime të ndryshme që kërkonin mos kualifikimin e lëndës.

Protestuesit kërkuan që lënda të mbetet nën akuzën e vrasjes. Reagime të shumta kishte edhe nga partitë politike shqiptare të cilat kundërshtojnë rikualifikimin eventual e veprës, nga “vrasje” në “aksident trafiku me pasojë vdekjen”. Por lidhur me rastin kishte reaguar edhe kryeprokurori Lubomir Joveski i cili përmes një shkrese kërkoi që politika të qëndroj larg Prokurorisë.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në qershor të 2016 pas një zënke banale para urgjencës së qytetit në Kumanovë mes familjarëve të viktimës dhe të dyshuarit, i cili sipas dëshmitarëve, duke u larguar me veturën e tij, e ka goditur për vdekje katërvjeçarin, Almir Aliu.

Naser Zyberi: “Ligji i shqipes ka kaluar fazat, pason vetëm votimi”

Keqpërdorim eklatant i rregullores së punës së parlamentit me qëllim që të pengohet hyrja në fuqi e këtij ligji. Kështu e sqaron eksperti juridik Naser Zyberi parashtrimin e mbi 35 mijë amendamenteve nga opozita maqedonase ndaj ligjit të gjuhëve i cili është kthyer sërish në kuvend pasiqë presidenti refuzoi ta dekretojë të njëjtin.

Sipas tij amendamentet nuk kanë të bëjnë me përmbajtjen dhe aspak me përmirësimin e tekstit. Ndërkaq janë në kundërshtim me procedurat pasi fazat për amendamentim kanë kaluar thotë ai.

“Ushtrimi i 35 mijë amendamenteve në një tekst ligjor prej 22-23 nenesh flet se ideja nuk është që të përmirësohet përmbajtja e tekstit të ligjit, por të bllokohet dhe të pamundësohet hyrja në fuqi e të njëjtit, këtë mundësi deputetët e VMRO-DPMNE-së e kanë pasur gjatë fazave të sjelljes së këtij ligji dhe këtë të drejtë ata nuk e kanë ushtruar, tani bëjnë vetëm sabotim të punës së kuvendit me qëllim që të pengohet hyrja në fuqi e një akti të miratuar konform kushtetutës dhe rregullores”, tha eksperti juridik, Naser Zyberi.

Pas përfundimit të procedurave rreth miratimit të një ligji qoftë edhe nëse nuk e ka dekretuar presidenti kuvendit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të deklarohet lidhur me vendimin e presidentit sqaron Zyberi.

“Procedura parlamentare për aprovimin e një ligji nuk është debat për bindjen e opinionit për arsyeshmërinë e sjelljes së ligjit. Arsyeshmëria e sjelljes së një ligji bëhet në leximin e parë parlamentarë të një ligji, në lexim të dytë bëhen intervenime me amendamente  ndërsa votimi i tretë është vetëm akt solemn do të thotë pranon vendimin e presidentit për ta refuzur dekretimin ose e refuzon të njëjtin. Në qoftë se qëndron me 61 vota pas propozimit që ka aprovuar do të thotë se presidentit nuk i është pranuar qëndrimi dhe ligji detyrimisht hyn në fuqi respektivisht kushtetuta e detyron presidentin që në atë rast ta nënshkruaj dekretin për hyrjen në fuqi”, u shpreh eksperti juridik, Naser Zyberi.

Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe u miratua me konsensus mes koalicionit të kryesuar nga LSDM dhe të gjitha partive shqiptare.

Maqedoni, protestuesit mblidhen para Parlamentit kundër gjuhës shqipe dhe ndryshimit të emrit

SHKUP- “Miqësia harrohet, Aleksandri mbetet përgjithmonë”, ishte mesazhi i patriotëve që protestuan para Kuvendit, përcjell Almakos. Pas njoftimit se Qeveria do të riemërtojë autostradën “Aleksandri i Madh” në “Miqësi”, qytetarët që protestuan sot para Kuvendit, të organizuar përmes shoqatave patriotike, thanë: “Miqësia harrohet, Aleksandri mbetet përgjithmonë”.

Tek parku “Gruaja luftarake”, është ngritur një kamp në të cilin nënshkruhet peticion kundër vendimeve të Qeverisë dhe Kuvendit. Demonstruesit gjithashtu kërkojnë ndërprerjen e negociatave për ndryshimin e emrit. Siç thonë organizatorët, protestat janë paralajmëruese, dhe kundër politikave antimaqedonase.

“Kjo është një protesta e popullit maqedonas dhe të gjitha shoqatat që jemi këtu po hyjnë në një unitet koalicioni me popullin tonë maqedonas. Ata do ti shkojnë deri në fund betejës së tyre të drejtë për ruajtjen e identitetit të tyre shekullor, historisë, kulturës dhe emrit”, tha Ana Bubinkova Mihajlovska, kryetarja e Shoqatës Qytetare “Rilindja”.

“Me votimin e tij rrënohen themelet e një shteti, që çon drejt destabilizimit dhe federalizimit të tij, do të rriten urrejtjet etnike dhe do të prishet shoqërua”, thonë organizatorët.

Ata më tej shtojnë se këto protesta janë vazhdimësi e atyre para gjashtë muajve. Dhe se edhe ditën e hënë do të ketë protesta para Kuvendit të Maqedonisë.

Deklaratë e fortë e prokurorit: Sela shpëtoi sepse dhunuesit menduan që kishte vdekur

SHKUP– Ka përfunduar seanca e sotme e të akuzuarve për tentativë vrasje ndaj deputetit dhe kreut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Prokurori publik akuzues, Darko Jakimovski, gjatë prezantimit të akuzës ndaj dhjetë të pandehurve, deklaroi se e vetmja arsye që nuk është u vra Ziadin Sela gjatë sulmit në Kuvendit e Maqedonisë, është sepse dhunuesit menduan se ai kishte vdekur.

Sipas Jakimovskit, dëshmitë që përbëhen nga fotografi, video, si edhe deklarata të dëshmitarëve do të dëshmojnë se në momentin kur rrahja e Selës ka arritur kulminacionin hezitimi i dhunuesve, por fakti se Sela nuk ka dhënë shenja jete dhe të gjithë kanë menduar se ai ka vdekur, shkruan “telegrafi”.

Joksimovski deklaroi se deputeti Ziadin Sela është lënduar rëndë në kokë.

Nga ana tjetër, avokatët e të akuzuarve deklaruan se klientët e tyre janë të pafajshëm, dhe se nuk kanë shkaktuar lëndime që kërcënojnë jetëm. Sipas avokatit mbrojtës të Kosta Dellovit, klienti i tij nuk ka marrë pjesë në rrahje, por vetëm është fotografuar që të tregojë se ka qenë në Kuvend më 27 prill 2017.

Avokati i Aleksandar Janevskit deklaroi se klienti i tij e ka mbrojtur Ziadin Selën dhe e ka ndihmuar.

Seanca e radhës është caktuar për më 8 shkurt, kur në seancë do të dëshmoj vetë Ziadin Sela, si edhe ekspertë të Institutit për mjekësi ligjore, si edhe dy dëshmitarë.

Gjyla Çeliku: Në qytetin e Alfabetit po na mallkojnë edhe në gjuhën shqip!

Miratimi i ligjit të gjuhës shqipe ka vënë në lëvizje segmentët ekstremistë në Maqedoni, që kvazhdojnë t’i mallkojnë, kërcënojnë dhe diskriminojnë shqiptarët jo vetëm në maqedonisht por edhe në gjuhën shqipe, sikur shihni edhe në foton e mëposhtëme, ku nëpër muret e ndërtesave shkruhet në maqedonisht dhe shqip “Vdekje për Shqiptarët!”

Ka reaguar edhe opinionistja nga Maqedonia, Gjyla Çeliku në rrjetin social, duke postuar fotografinë që mbart shkrimnin antishqiptar e cila shkruan si më poshtë:

“Kryesorja filloi zbatimi i gjuhës në vendet me shumicë shqiptare, në Qytetin e Alfabetit, me mallkim edhe në gjuhën shqipe.

Faleminderit që respektoni ligjin dhe ju garantoj që ne s’jemi trembur edhe kur veç maqedonisht na keni mallkuar,

e tash me mallkim shqip e marrim si “mallkim me respekt për autoktonitetin tonë”.”

 

Thirrje naziste të maqedonasve, tani edhe shqip (FOTO)

Ka pushtuar rrjetet sociale një foto nga qyteti i Manastirit, ku në një mur shkruan “Vdekje për shqiptarët”.

Grafiti është shkruar në dy gjuhë, si ironi për ligjin për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni.

Thirrjet naziste në Maqedoni po marrin hov në Maqedoni, pas miratimit të ligjit për gjuhët, si nëpërmes grafiteve ashtu edhe nëpërmes intelektualëve maqedonas./lajm

Presidenti Ivanov nuk do ta nënshkruajë ligjin për gjuhët

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka bërë të ditur sot se nuk do ta nënshkruaj ligjin për gjuhët të cilin e miratoi parlamenti i Maqedonisë para një jave. Duke iu drejtuar opinionit publik përmes një mesazhi, ai theksoi se arësyetimin ia ka dërguar parlamentit, ndërsa u bëri thirrje ligjvënësve që t’i rishikojnë vërejtjet e tij.
“Ligji u miratua pa një debat publik, pa konsultuar ekspertët dhe pa opozitën”, thekson presidenti maqedonas duke shtuar se ligji po ashtu u miratua pa një direktivë të Bashkimit Evropian.Presidenti Ivanov shkruan më tej se në punën e tij gjithmonë ka respektuar Kushtetutën dhe interesat e qytetarëve të vendit. Ai vlerëson se miratimi i ligjit synonte arritjen e pikëve politike nga parti të caktuara.

Qëndrimi i zotit Ivanov ndaj këtij ligji ishte i njohur. Edhe në paraqitjen e fundvitit para deputetëve ai pati theksuar se “Maqedonia do të bëhej shteti i parë evropian i cili i parashtron kushte vetëvetes të cilat ashkush, nuk i kërkonte”.
Zoti Ivanov, i cili po ushtron mandatin e dytë si president, i propozuar dhe mbështetur nga partia konservatore VMRO-DPMNE, thotë se ligji për gjuhët instalon një paralelizëm në të gjitha organet e pushtetit dhe bën bllokimin e tyre, ndërsa ekziston rreziku, sipas tij, për ripërkufizimin e Kushtetutës që do të cënonte bashkimin, sovranitetin dhe integritetin tokësor të Maqedonisë.
Ndërkaq në një reagim të qeverisë së Maqedonisë thuhet se ligji ishte miratuar në mënyrë të duhur sipas procedurave të parashikuara në parlament dhe në pajtim me amendamentin 5 të Kushtetutës së Maqedonisë.
“Opozita kishte të gjitha mundësitë që përmes amendamenteve të marrë pjesë në përmirësimin e ligjit, por opozita vetë mori vendim për të mos marrë pjesë në procesin politik për ligjin e gjuhëve”, thuhet në një komunikatë të qeverisë, ndërsa theksohet më tej se “nëse një qytetar ndjen nevojë të flasë në gjuhën e tij amtare, me këtë përfitojnë të gjithë qytetarët dhe Republika e Maqedonisë. Me këtë ligj e avancojmë përdorimin e gjuhëve të gjitha komuniteteve në vend”, nënvizon qeveria.
Ligji në veçanti avanconte gjuhën shqipe e cila do të mund të përdorej në institucione të larta shtetërore dhe publike ku nuk kishte zënë vend deri tash.
Pas vendimit të presidentit Ivanov, i takon parlamentit që të vendosë në një lexim të tretë, ku sipas pritshmërive, ligji do të miratohet edhe një herë, pa pasur nevojë për të debatuar më mbi të.

Incident në Shkup, rrahje masive mes tifozëve maqedonas dhe atyre shqiptarë

SHKUP- Një incident në një ndeshje basketbolli ka ndodhur në Shkup mes disa tifozëve maqedonas dhe një grupi shqiptarësh. Ngjarja ndodhi gjatë ditës së djeshme.

Ina shkruan se incidenti ndodhi gjatë ndeshjes mes ekipit të Pelisterit nga Manastiri dhe tifozët e ekipit të Shkupit.

Siç bëjnë të ditur nga MPB-ja, rasti ka ndodhur në sallën e sportit “Shaban Twrstena”, pas përfundimit të ndeshjes. Një tifoz ka hedhur një petardë në drejtim të lojtarëve mysafir, që ka nxitur reagimin e tyre, duke hedhur me një shishe plastike ndaj tifozëve. Kjo ka bërë që tifozët të sulmojnë lojtarët e Pelisterit. Gjatë tentimit për të parandaluar rrahjen, janë lënduar dy policë.

Maqedoni, emetohet pulla postare me portretin e Skënderbeut

Posta e Maqedonisë ka emetuar pullën me portretin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në 550 vjetorin e vdekjes.

Ambasadori shqiptar në Maqedoni, Fatos Reka, ka bërë të ditur këtë lajm përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

“Posta e Maqedonisë ka emetuar pullën postare për të nderuar 550 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, shkruan Reka.

Heroi ynë kombëtar, që bën krenar çdo shqiptar, u bë pjesë e historisë si një nga gjeneralët dhe strategët më të mëdhenj të kohës.

Ndonëse kishte me vete një ushtri të vogël, ai mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborret e ushtrisë osmane, më të organizuarat e kohës, si një burrë i madh shteti, që udhëhoqi luftën kundër pushtuesit osman. Skënderbeu shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare.

Publikohet emri i ri dhe detajet e marrëveshjes Maqedoni-Greqi

Janë publikuar detaje të marrëveshjes që pritet të nënshkruhet mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. 

Në një dokument që ka siguruar portali Infoshqip thuhet se emri i ri do të jetë Republika e Maqedonisë së Re, ndërsa versioni i shkurtuar do të jetë Maqedonia e Re.

Në dokument përfshihen edhe zgjidhjet për çështjet me kishën, gjuhën dhe identitetin.

—-Emri: Republika e Maqedonisë së Re
—Emri i shkurtuar: Maqedonia e Re
—-Gjuha: Maqedonishtja moderne
—-Nacionaliteti: Maqedonas/ Maqedonasit e ri
—-Kisha: Kisha e Re Ortodokse Maqedonase
—-Identiteti: Maqedonas (për Maqedonasit), Maqedonasit Etnikë (për ndërkombëtarët) Sllavomaqedonasit ( për Grekët)
—-Identiteti i Maqedonasve të Greqisë: Maqedonasit e Greqisë (për Maqedonasit dhe ndërkombëtarët) Maqedonas (për Grekët).

Tërmete të fuqishme goditën Maqedoninë – vetëm dëme materiale

Mbrëmë vonë, pas orës 23:00, janë regjistruar një seri tërmetesh të cilat vijnë nga rajoni epiqendror i Dojranit, por më i fuqishmi me intensitet prej VI-VII ballëve sipas Shkallës evropiane makrosizmike, ishte në mëngjes në orën 5 e 24 minuta.

Siç informon Observatori sizmologjik pranë Fakultetit matematiko-natyror në Shkup, këtë tërmet në 145 kilometra në juglindje të Shkupit, me magnitudë prej 4,8 ballëve sipas Rihterit, më së shumti e ka ndjerë popullata në Dojran.

Në Gjevgjeli, Vallandovë dhe Strumicë intensiteti ishte VI ballë, ndërsa në Kavadar, Radovish dhe Berovë V ballë.

Tërmeti është ndjerë edhe nga popullata e Greqisë fqinje dhe Bullgarisë, ndërsa ka shkaktuar dëme në ndërtimet në vendet e banuara në afërsi me epiqendrën.

Shkup, protestuesit kërkojnë zbardhjen e “rasteve të montuara”

“Këto procese dhe të gjitha të tjerat që kanë ndodhur nga krijimi i Maqedonisë kanë prapavijë të qartë etnike dhe politike”, theksoi Pollozhani

SHKUP – Nën organizim të disa organizatave joqeveritare dhe familjarëve të të akuzuarve në rastin “Lagja e Trimave”, dhjetëra qytetarë shqiptarë u tubuan në sheshin “Skënderbe” në Shkup për të shprehur revoltën e tyre kundër vendimit gjyqësor të shkallës së parë për rastin në fjalë.

Organizatorët të cilët ishin tubuar me moton “Të thajmë lot dhe të shërojmë plagë” kërkuan që rasti “Lagja e Trimave” të rikualifikohet dhe të kthehet në rigjykim, për shkak të siç thonë organizatorët, dhjetëra shkeljeve procedurale.

Kryetar i Shoqatës së të burgosurve dhe të përndjekurve politik në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani, i cili është njëri nga organizatorët e tubimit, para të pranishmëve deklaroi se do të vazhdojnë të protestojnë derisa të përmirësohen “gabimet e shtetit” lidhur me këtë rast, duke përfshirë edhe rastet e tjera ku janë dënuar shqiptarët.

“Këto procese dhe të gjitha të tjerat që kanë ndodhur nga krijimi i Maqedonisë kanë prapavijë të qartë etnike dhe politike”, theksoi Pollozhani, sipas të cilit, në shumë raste ku janë dënuar shqiptarët “vendimi është shqiptuar me motive politike”.

Pas fjalimeve të disa organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protestë, protestuesit marshuan deri para ndërtesës së Gjykatës së Apelit – Shkup, e cila ishte e rrethuar me forca policore të sigurisë. Pas disa minutave brohoritjesh para ndërtesës së Gjykatës së Apelit, protestuesit u shpërndanë në mënyrë të qetë.

Në fillim të muajit nëntor të këtij viti, Gjykata Penale e Shkupit shqiptoi aktvendimin për 37 të akuzuarit të grupit të armatosur të Kumanovës për ngjarjet e vitit 2015 në “Lagjen e Trimave”. Tetë të akuzuar u dënuan me burg të përjetshëm, katër të tjerë u shpallën të pafajshëm, ndërsa pjesa tjetër morën dënime prej 12 deri në 40 vjet burg.

Të dënuarit u akuzuan për veprën penale “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”. Prej të akuzuarve të cilët u ngarkuan me veprën penale “organizim terrorist” dhe “terrorizëm”, 16 janë shtetas të Kosovës, një shtetas i Shqipërisë, një shtetas i Gjermanisë, ndërsa pjesa tjerët janë shqiptarë nga Maqedonia.

Kujtojmë se më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, një grup i armatosur u përlesh me forcat e sigurisë maqedonase. Gjatë përleshjeve u vranë tetë policë të forcave speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe 40 të tjerë u plagosën. Në përleshje, po ashtu u vranë edhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur. aa

Maqedoni: “Aleanca për Shqiptarët” do të qëndrojë në koalicion

Aleanca për Shqiptarët (ASH) nuk do ta braktisë koalicionin qeveritar të Maqedonisë. Kështu bëri të ditur të dielën kryetari i partisë shqiptare, Ziadin Sela pas një takimi disa orësh me anëtarët e ASH-së në Gostivar.

Drejtuesit e kësaj partie kanë qenë mjaft kritik ndaj qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev pasi ai nuk deshi që ministrinë e Shëndetësisë t’ia lërë ASH-së që prej zgjedhjeve lokale kur Arben Taravari e la postin e ministrit për atë të kryetarit të komunës së Gostivarit.

Zoti Zaev tashmë ka dërguar në parlament propozimin për ministër të ri të Shëndetësisë që është këshilltari i tij aktual, kirurugu Venko Filipçe.

Ndërkaq, zoti Sela megjithatë u tha gazetarëve pas takimit se shpresonte që me kryeministrin Zaev të takohet përsëri për të biseduar rreth kushteve të qëndrimit në koalicionin qeveritar.

“Ne – tha z. Sela – kemi vendosur të jemi pjesë e qeverisë për realizimin e programit që u është premtuar votuesve. Kemi premtuar se do t’i zhbllokojmë proceset, se ligji për gjuhën shqipe do të miratohet dhe se do të hapen rastet e montuara gjyqësore”.

Aleanca për Shqiptarët aktualisht ka vetëm dy deputetë, pasi Vesel Mehmeti i njërit fraksion të Rilindjes Demokratike Kombëtare që bënte pjesë në ASH, vendosi të veprojë më vete.

ASH-ja kishte postin e ministrit të Shendëtësisë, tre zëvendës-ministra dhe zyrtarë e drejtorë të tjerë në poste të larta qeveritare e publike. Kryeministri Zaev i ofroi z. Sela një post të ri në shkëmbim të shëndetësisë, atë të zv.kryeministrit për reforma, një gjë që drejtuesi shqiptar e cilësoi me ironi si “zëvendës-kryeministër për byrek që do t’ia kalonte menjëherë BDI-së”.

Sidoqoftë, Ziadin Sela konsiderohet si mjaft meritor për formimin e qeverisë së Zoran Zaevit, me që ai në asnjë mënyrë nuk deshi një koalicion qeveritar me VMRO-DPMNE-në, e cila kishte fituar numrin më të madh të ligjvënësve në parlament nga zgjedhjet e dhjetorit të kaluar. Votat e ASH-së në parlament ishin vendimtare për qeverinë e re.

Por tash, të paktën tre deputetë janë shkëputur nga koalicioni i VMRO-së dhe kanë dhënë shenja afërsie me politikat e qeverisë, duke bërë kështu që rëndësia e votave të ASH-së në parlament të mos jetë më jetike, ndërsa nga ana tjetër, të paktën sipas spekullimeve, Partia Demokratike Shqiptare ka treguar gatishmëri për të hyrë në koalicinin qeveritar të drejtuar nga Lidhja Social Demokratike.

Organizohen protesta për rastin e Kumanovës

Në një takim të përbashkët të shtunën në Kumanovë, këshilli i Familjarëve të rastit Lagja e Trimave, bashkë me Shoqatën e të Burgosurve dhe te Përsekutuarve Politik, OVL UÇK dhe përfaqesues të disa asociacioneve të tjere vendosën që me datën 30 dhjetor të organizojnë një protestë kundër dënimeve drakonike nga gjyqet për të cilët disa institucione relevant ndërkombëtar kanë deklaruar se janë të partizuar.

Kështu thonë organizatorët e protestës, sipas të cilëve, protesta do të fillojë në orën 13 te Sheshi Skënderbeu per të përfunduar përpara Gjykatës së Apelit.

Rama: Ligji për gjuhën shqipe është një tjetër forcim i themeleve të Maqedonisë së të ardhmes

POGRADEC– Pak pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë bashkë me homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev.

I pari që mori fjalën ishte i zoti i shtëpisë, kryeministri Rama, ku tregoi edhe njëherë disa marrëveshje që u firmosën mes dy qeverive. Ai tha se bashkëpunimi mes dy vendeve i jep fund një historie ku konfliktet e së shkuarës kërcënojnë që të na rikthehen në pengesa në rrugët e të ardhmes.

“Siç e keni ndjekur në mbledhje u fol edhe për marrëveshjen e Ohrit dhe jemi shumë të inkurajuar. Ky është një gurë themeli për forcimin e demokracisë dhe rritjen e mirëqenies jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Shqipëri. I jep fund një historie ku konfliktet e së shkuarës kërcënojnë që të na rikthehen në pengesa në rrugët e të ardhmes. E përgëzoj kryeministrin për kurajon që ka çuar para programin. Për inicimin e ligjit të gjuhëve në parlament dhe për mbajtjen e një zotimi madhor për gjuhen shqipe. Presim që ligji të kalojë dhe zbatimi të nisë një orë e më parë. Është një tjetër forcim i themeleve të Maqedonisë së të ardhmes. Jemi shumë të kënaqur për praninë tuaj këtu”, tha Rama.

Vritet në Siri ish-boksieri shqiptar, dyshohet se luftonte me ISIS (Emri)

Një shqiptar nga Maqedonia është vrarë në Siri, ndërsa dyshohet se luftonte përkrah ISIS.

Mësohet se viktima është Adem Kamberi nga Shkupi, i cili ka qenë ish boksier dhe anëtar i Klubit të boksit “Shkupi”.

Lajmin e vrasjes së Kamberit, e ka konfirmuar në rrjetet sociale trajneri i klubit të boksit “Shkupi”, Naser Haruni.

Lista me emrat e 40 shqiptarëve të vrarë në frontet e luftës në Siri dhe Irak:
Muhamet Koprova (22) nga Mitrovica, Atdhe Deva nga Peja, Pajtim Ulluri (22) nga Lipljani, Naman Demolli nga Prishtina, F. S. nga Prishtina, Valon Musliu nga fshati Tushille (Skenderajt) H. Dema nga Kaçaniku, Musë Ahmeti, Hetem Sinan Dema dhe Qani Mujaku nga Kaçaniku. Po ashtu në muajin prill të këtij viti është raportuar se janë vrarë dy shqiptarë nga Feriza. Viktima e fundit në Siri ishte dje e kosovarit (Luksemburgu) Ebu Sofjani, Ebu Samiri nga Mitrovica, Ebu Ubajde, Ebu Jusufi-Zeqir Qorraj, Abdurrahman, Liridon Sadiku, Ebu Sara – Sinan Muji, njofton Express.

Shkupi vazhdon të jetë i mbuluar nga mjegulla e dendur dhe ajri i ndotur

Në krahasim me kryeqytetet tjera, Shkupi duket se është kryeqyteti më i ndotur. Stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit të këtij vendi tregojnë një ndotje të madhe në zonën e Shkupit

SHKUP/TIRANË – Ndotja e ajrit vazhdon të jetë problem për shumë qytete të Ballkanit, sidomos për qendrat e mëdha urbane. Kryeqytetet e vendeve të rajonit këto ditë janë në fokus të publikut për shkak të problemit tashmë disa-vjeçar të ndotjes së ajrit dhe mjegullës së dendur, gjë e cila pengon funksionimin normal të jetesës së qytetarëve.

Në krahasim me kryeqytetet tjera, Shkupi duket se është kryeqyteti më i ndotur. Stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit të këtij vendi tregojnë një ndotje të madhe në zonën e Shkupit. Në mesnatën e kaluar, në qendrën e kryeqytetit maqedonas niveli i grimcave PM 10 nuk ra nën 200 mikrogramë.

Vlerësimet maksimale gjatë natës arritën deri në 470 mikrogramë për metër kub. Matjet e fundit të mëngjesit të sotëm treguan 277 mikrogramë të grimcave PM10 në metër kub.

Ajri tejet i ndotur në këtë qytet pengon edhe dukshmërinë dhe qytetarët me maska mbrojtëse dhe në mënyra tjera përpiqen të mbrojnë veten nga ajri i ndotur. Një pjesë e mirë e tyre, pavarësisht nga moti i ftohtë si mjet transporti përdorin biçikletat e tyre për të ndihmuar në reduktimin e ndotjes.

Mjegulla e dendur në luginën e Shkupit poashtu pengon trafikun ajror nga aeroporti “Aleksandri i Madh”. Që në mëngjes, por edhe gjatë natës së kaluar, janë anuluar ose ridrejtuar uljet apo ngritjet e parashikuara nga aeroporti i Shkupit.

Lidhja auto-moto e Maqedonisë (AMCM) njofton se ka një zvogëlim të dukshmërisë prej 50 deri 100 metra për shkak të mjegullës në disa rrugë që lidhin kryeqytetin me vendet tjera, të tilla si ajo Shkup – Katllanovë, Shkup – vendkalimi kufitar Bllacë, si dhe në unazën rreth Shkupit.

– Tirana, qyteti më i ndotur në Shqipëri –

Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) e Shqipërisë njofton se Tirana vazhdon të jetë qyteti më i ndotur në rang vendi, ndërsa Fieri, Lushnja dhe Lezha janë tre qytete potencialisht të ndotura.

Sipas një raporti të AKM-së problematikë është prania e grimcave PM10, ku dhe thuhet se kjo situatë është pasojë e urbanizmit të lartë dhe ndotja vjen nga rritja e numrit të makinave që qarkullojnë në rrugë, si dhe veprimtarisë industriale.

Sa i përket ndotjes së ajrit, bazuar në të dhënat e raportit të AKM-së, nivelet më të larta të PM10 janë monitoruar në Tiranë, ku ka një tejkalim të normës vjetore të BE-së në masën 15 për qind dhe 38 për qind, për dy pika monitorimi në kryeqytetin e Shqipërisë. Në një nga pikat e monitorimit në Tiranë ka rezultuar se vlera vjetore e monitoruar është 55.25 mikrogram për metër kub dhe krahasuar me normën vjetore ka një tejkalim me 15.25 mikrogram për metër kub.

Në përgjithësi, nivelet e PM10 janë mbi normë në të gjitha qytetet me përjashtim të Shkodrës dhe Vlorës ku ndër vitet e fundit janë nën normën e BE-së.

Ndërkohë, sipas buletinit të Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, publikuar në vitin 2017, burimet kryesore të ndotjes së ajrit sot në Shqipëri janë të shumtë, por specialistët rendisin disa shkaktarë, të cilët mbajnë edhe peshën kryesore të nivelit të ndotjes. Këtu mund të përmendim automjetet e vjetëruara dhe trafiku i makinave (kjo lidhet edhe me rrugët e dëmtuara). Gjithashtu edhe ndërtimet, të cilat nuk zbatojnë kriteret për të evituar ndotjen, industritë e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, djegia e pakontrolluar e mbeturinave.

Nimetz: Çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë mund të zgjidhet shpejt

Përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara, Mathew Nimetz

Përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara për konfliktin e emrit në mes të Greqisë dhe Maqedonisë, Mathew Nimetz, ka thënë sot se kjo çështje “mundet dhe duhet të zgjidhet”, gjatë vitit të ardhshëm, pasi palët do të takohen për herë të parë pas tri viteve në Bruksel.

Greqia e akuzon përdorimin e emrin Maqedonia nga ana e Shkupit, duke thënë se me këtë hap Shkupi ka pretendime irredentiste dhe territoriale.

Kjo akuzë nga ana e Greqisë ka komplikuar aspiratat e Shkupit për t’u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Diplomati amerikan, Nimetz, ka thënë pas takimit me të dërguarit grek dhe maqedon, Adamantios Vassilakis dhe Vasko Naumovski, se “atmosfera është shumë më e mirë qoftë nga Shkupi ashtu edhe nga Athina dhe se ka shenja se ne duhet të bëjmë përpjekje të mëdha për ta zgjidhur këtë çështje, e cila ekziston për vite të tëra”.

Me ardhjen e qeverisë së re të Zoran Zaevit, Maqedonia duket se ka tentuar të shpejtojë përpjekjet e vendit ballkanik për t’iu bashkuar BE-së dhe NATO-s, duke rregulluar marrëdhëniet e tendosura me fqinjtë si Greqinë dhe Bullgarinë.

Ajo po ashtu ka kërkuar bisedime me Athinën rreth konfliktit për emrin.

Nimetz ka deklaruar për shpresën e tejkalimit të kësaj situate, duke thënë se, “viti tjetër mund dhe duhet të jetë koha kur këto probleme do të zgjidhen”.

Nimetz ka refuzuar të spekulojë rreth emrit të ri që mund të zëvendësojë emrin aktual të këtij vendi, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Denoncimi i ambasadorit amerikan, dorëhiqet KSHZ-ja

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni, fotografi nga arkivi

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni ka mbetur thuajse pa gjysmën e anëtarëve për shkak të dorëheqjes së gjashtë prej tyre, përfshirë edhe kryetarin Aleksandar Çiçakovski, për shkak të skandalit me ndarjen e pagave shtesë për veten e tyre në një seancë të mbajtur larg syve të opinionit, e që ishte denoncuar nga ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily.

Dorëheqja e fundit është ajo e Subhi Jakupit, nga radhët e BDI-së dhe anëtarit të pavarur Rexhep Prekopuca, ndërkohë që ende nuk dihet nëse dorëheqje do të japin edhe tre anëtarët e tjerë, dy nga VMRO-ja dhe një nga Lëvizja Besa.

Rasti me ndarjen e nëntë pagave shtesë në vlerë prej një mijë euro për secilën prej tyre, në veçanti mënyra që kjo të bëhet në mbledhje të mbyllur, ka nxitur reagime të shumta në opinion duke çuar edhe në dorëheqjet, pavarësisht se anëtarët thonë se veprimi i tyre është ligjor dhe se nuk bëhet fjalë për vjedhje apo korrupsion.

Ndryshe, dorëheqjet e anëtarëve të KSHZ-së janë të parat për korrupsion, pasi deri më tani nuk ka ndodhur që ndonjë zyrtarë të marrë përgjegjësinë pavarësisht denoncimeve të ndryshme që janë bërë nga faktorë të ndryshëm.

Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit thotë se përgjegjësi duhet të ketë në çdo kohë dhe kurdo qoftë që të bëhet denoncimi, e jo të pritet që dorëheqjet të vijnë pas denoncimit të ndonjë diplomati të huaj, siç ishte rasti me ambasadorin amerikan.

“Kur ka korrupsion, kur ka shkelje të detyrës zyrtare pa marrë parasysh se nga kush denoncohet, qofshin ata qytetarët, gazetarët, qoftë nga opozita lokale apo qendrore, pra kur shihet se ka shkelje duhet të ketë reflektim në ndjenjën e përgjegjësisë, qofshin ata persona të zgjedhur apo emëruar. Vetëm kështu ne mund të kemi institucione kredibile, për të avancuar pozitën tone në shoqëri”, thotë Musa.

Profesori Temelko Ristevski, njohës i së drejtës kushtetuese dhe profesor i administratës publike në Universitetin FON, thotë se përgjegjësia e institucioneve duhet të jetë e lartë, pasi punonjësit e tyre duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo për pasurimin e tyre.

Sipas tij, rasti në fjalë edhe një herë ka ngritur nevojën e pasjes së një sistemi të fuqishëm të ndjekjes, por edhe të përgjegjësisë për çdo shkelës të ligjit.

“Ata janë në shërbim të qytetarëve dhe nuk duhet të shfrytëzojnë funksionin e tyre në vjedhjen e qytetarëve. Atje ku janë konstatuar keqpërdorime të pozitës zyrtare, organet e ndjekjes duhet të veprojnë, para se gjithash nga prokuroria dhe të sanksionojë çdo shkelës të ligjit. Në njërën anë kemi qytetarë të varfër dhe institucione që nuk kanë para për të shlyer detyrimet ndaj qytetarëve, dhe në anën tjetër funksionarë që nuk mbajnë asnjë llogari për shpenzimin e parave të taksapaguesve”, thotë Ristevski.

Enti i revizionit shtetëror gjatë hetimeve të kryera nëpër institucione ka konstatuar parregullsi të shumta. Por, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë e përgjegjësisë, qoftë nga Prokuroria Publike apo Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Ky institucion shtetëror nuk ka mbajtur asnjë seancë për të proceduar rastet e denoncuara, por në një moment kishte dalë në mbrojtje të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski lidhur me fletën anketuese të pasurisë së tij.

Sipas ekspertëve, përgjegjësi duhet të mbajë edhe Kuvendi në rastin e trupave apo anëtarëve të institucioneve që emëron, siç është rasti me anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Nikolla Gruevski dorëhiqet nga drejtimi i VMRO-së

Nikolla Gruevski ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i partisë VMRO DPMNE, e cila ka qeverisur Maqedoninë deri para qershorit të këtij viti kur drejtimin e vendit e mori Lidhja Social Demokrate e kryeministrit aktual, Zoran Zaev.

Gruevski i cili i kishte marrë drejtimin e VMRO DPMNE-së në vitin 2003, i paraqiti dorëheqjen e parevokueshme, Komitetit Drejtues të partisë për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale të muajit të tetor.

Nga 80 komuna, kjo parti arriti të fitojë vetëm se në pesë prej tyre duke shënuar rezultatin më të dobët që nga vendosja e pluralizmit.

Kryetar i ri partisë më të madhe të opozitës do të zgjidhjet në kongresin e jashtëzakonshëm pas dy javësh.

”Komiteti Qendror i VMRO DPMNE-së, vendosi që kongresi partiak të mbahet më 22 dhe 23 dhjetor, në Vallandovë ku do të marrin pjesë 544 delegatë, lista e të cilëve do të publikohet në ueb faqen zyrtare të partisë”, ka thënë para mediave Hristijan Mickovski, Sekretari i Përgjithshëm i partisë.

Për kreun e ri të partisë përmenden disa kandidatura të mundshme, si deputetët Ilija Dimovski dhe Antonio Mislloshoski, ish Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, ish Ministri i Shëndetësisë, Nikolla Dimitrov, Hristijan Mickovski, por edhe emri i ish Kryetarit të partisë, Lubço Georgievski.

Largimi i Gruevskit nga partia ndodhë në momentin kur ai dhe shumë personalitete tjera të saj po përballen me procese gjyqësore për vepra të rënda penale.

Ndaj Gruevskit po zhvillohen së paku katër procese për mashtrime zgjedhore, kurdisje tenderësh, porositje të dhunës ndaj zyrtarëve të LSDM-së e vepra tjera.

Ndërkohë, gjashtë deputetë të VMRO-së po ndiqen edhe për dhunën e ushtruar në Kuvend.

Tre prej tyre janë në paraburgim prej 30 ditësh ndërsa tre të tjerë në burg shtëpiak.

Ata akuzohen për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe të sigurisë publike” në rastin e pushtimit të Kuvendit nga protestuesit që kundërshtonin zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga radhët e shumicës së re parlamentare, por edhe formimin e qeverisë së re nga LSDM-ja. Në paraburgim ndodhet edhe ish ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov, i akuzuar për veprën e njëjtë dhe mos ndërhyrjen e policisë ditën e pushtimin e Kuvendit.

Arrestimet janë kundërshtuar nga VMRO-ja dhe Gruevski, i cili ka akuzuar LSDM-në për revanshizëm politik.

Daljen nga gjendja e krijuar, VMRO-ja e sheh në një amnisti për të gjitha personat e ndaluar po që po ndiqen për dhunën në Kuvend, por kjo është kundërshtuar nga LSDM-së e cila kërkon përgjegjësi për atë çfarë kishte ndodhur “të enjten e përgjakshme”, siç njihet dita e pushtimit të Kuvendit, më 27 prill.

Me pasaportë të Maqedonisë mund të punësoheni rregullisht në Evropë

Kjo është faqja e internetit për punë në Gjermani: www.jobboerse.arbeitsagentur.d…

Këto vende përballen me një numër të madh mungesash të stafit, portali ‘Fol’ në mënyrë të veçantë i ka listuar edhe atë në këta sektorë:

Gjermania: IT, inxhinierë mekanikë, elektronikë, elektricist, instalues elektrik, hidraulik, mjekë, infermiere dhe kujdestarë të personave të moshuar dhe fëmijëve të sëmurë.

Suedia: dentistë, kontabilistë, kuzhinierë, bakers, moleraj, teknikë ndërtimi dhe inxhinierë, inxhinierë elektrikë, sektori IT.

Norvegjia: kuzhinier, bukpjekës, teknikë ndërtimi dhe inxhinierë, infermiere dhe mjekë.

Punohet 7,5 orë në ditë dhe punëtorët marrin 30 ditë pushim.

Yee nuk do të jetë ambasador i SHBA-ve në Shkup

Përfaqësuesi diplomatik i SHBA-ve, Hoyt Brian Yee në intervistë ekskluzive për televizionin boshnjak N1 i përgënjeshtron lajmet e paraqitura në disa media se ai do të jetë ambasadori i ri i SHBA-ve në Maqedoni, ndërsa shton se është i kënaqur me funksionin që ka aktualisht.

“Mos besoni çdo gjë që do të lexoni. Jam shumë krenar që jam zëvendës ndihmës sekretar i SHBA-ve dhe jam i kënaqur nga puna ime. Më vjen mirë që mund të vërtetoj se ende do të jem në këtë pozitë”, tha Yee.

Ai shton se interesat e SHBA-ve në rajon janë të drejtuara kah ndihma që vendet e rajonit të mund të afrohen drejt qëllimeve të tyre dhe ato janë prosperiteti, demokracia dhe stabiliteti.

Instituti zviceran shokon maqedonasit, shumica e popullatës me prejardhje ilire

Instituti zviceran i gjenetikës, IGENEA ka nxjerrë të dhëna për prejardhjen dhe origjinën e popujve në rajonin e Ballkanit. Sipas rezultateve të këtij studimi rreth 30 për qind e popullatës në Maqedoni kanë prejardhje antike. Pastaj 20 për qind janë teuton, (fise gjermane me prejardhje ilire).

Shkrimet e historianëve antikë dhe atyre të Mesjetës, vërtetojnë që pjesëtarët e teutonëve janë popuj iliro-thrakë, të cilët emigruan në kohë të ndryshme drejt Perëndimit, njofton agjencia e lajmeve INA.

Kjo bën që përqindja e popullatës me prejardhje ilire të jetë më e madhe.

Në këtë hulumtim gjithashtu theksohet se pjesa më e madhe e popullatës janë me prejardhje Ilire, ndërsa vetëm 15 për qind me prejardhje sllovene apo sllave.

Dokument – Ky është kumanovari që ndihmoi në lirimin e shqiptarëve në rastin ‘Monstra’

Kryetari i IGFM-së dhe kundërshtari i ashpër i regjimit të kaluar, Idriz Sinani ka dhënë një kontribut të çmueshëm në lirimin e shqiptarëve të pafajshëm në rastin ‘Monstra’ dhe zbardhjen e rasteve tjera të montuara ndaj shqiptarëve.

Përpor protestave, reagimeve e aktiviteteve tjera në forumet e ndryshme të organizatave ndëkombëtare, Sinani ka pasur një kontakt direktë me kryeministrin e vendit Zoran Zaev.

Gjatë tetor nëntor, kryetari i organizatës gjermane për të drejtat e njeriut i ka dërguar kërkesë dhe letër qeverisë së Maqedonisë për lirimin e të dënuarve në rastin Monstra si dhe zbardhjen e rasteve tjera të montuara nga regjimi i kaluar.

Qeveria e Maqedonisë, në përgjigjen e kthyer më 28 nëntor ka vlerësuar punën e palodhshme të veprimtarit shqiptarë nga Kumanovë, duke garantuar zbardhjen e plotë të Rastit Monstra dhe rasteve tjera.

Kryeministri Zaev, ka shprehur gatishmërinë të aplikoj sugjerimet e organizatës IGFM të prezantuara nga Idriz Sinani.

Ky i fundit thotë për agjencinë e lajmeve INA, se në kohën kur partitë politike po rrahin gjoks për lirimin e përfaquesve të rastit Monstra, duke të njihet edhe kontributi i organizatave për të drejtat e njeriut si dhe personaliteteve të cilët kanë ndihmuar në zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Në Tetovë është prodhuar droga që përdoret nga ISIS (Foto)

Doktor Milan Zarubica (49) nga Beogradi që u arrestua të premten në Tetovë për shkak se kishte hapur laborator për prodhimin e drogës amfetaminë “Kaptagon”, e cila përdoret masivisht nga xhihadistët e Shtetit Islamik. U kapën së paku 300 kilogramë nga kjo drogë, rreth një milion e gjysmë tableta, që në tregun e zi kushtojnë së paku pesë milionë euro.

Zarubica është doktor i farmacisë dhe magjistër i kimisë, kurse kjo është hera e tretë që burgoset për prodhimin e amfetaminës. Për këtë arsye edhe ka bërë 11 vjet e gjysmë burg në Serbi. Në opinion njihet si “mbret i drogave sintetike.

Në aksionin e përbashkët të policisë së Maqedonisë dhe Serbisë , përveç Milanit u arrestuan edhe kushëriri i tij Bojan Zarubica (36), miku i afërm Stevan Klaç (55), si dhe shqiptarët nga Tetova, A. H.(53), S. Sh. (40), I. Sh. (52), A. M. (30) dhe Z. D. (55).

Përndryshe, xhihadistët e ISIS-it e përdorin masivisht drogën “Kaptagon”, sepse u ndihmon që të qëndrojnë më gjatë zgjuar dhe të jenë më luftarakë dhe energjikë.

Më herët një princ saudit u kap me dy tonelata nga kjo amfetaminë.

Polici që zhvilloi negociata me sulmuesit në Paris deklaroi se ata ishin të droguar. Të dy terroristët ishin shumë nervozë, të shqetësuar, të hutuar, sikur të ishin nën ndikimin e drogave dhe përsërisnin të njëjtat fraza: “Ne jemi ushtarë të kalifatit” , “Krejt faji është i presidentit François Hollande” etj.

Sipas njoftimeve të medieve franceze, që mbështeten në burimet policore, “Kaptagon-i” është gjetur edhe gjatë bastisjes së banesës së terroristit Salah Abdselam, i cili mori pjesë në sulmet në Paris.

Ministria turke e punëve të brendshme konfirmoi se njësitë e saj policore për luftën kundër drogës, kanë konfiskuar dy tonelata “Kaptagon”, në dy bastisje në krahinën në lindje të vendit.

“Kaptagon” është ilaç për hiperaktivitet, ndërsa është ndaluar në vitet `80 të shekullit të kaluar. Përfitohet nga përzierja e fentelinës, kofeinës dhe i disa substancave të tjera.

Në Lindjen e Mesme “Kaptagon” është shumë i popullarizuar. Në Arabinë Saudite konfiskohen 55 milionë tableta në vit, që supozohet të jetë 10 përqindshi i sasisë që tregtohet në vend. Sipas të dhënave të OKB-së të vitit 2013, 64 përqind e amfetaminës së konfiskuar në botë ndodh në Lindjen e Mesme, shumica të llojit “Kaptagon”.

Kohëve të fundit, policia libaneze gjeti 40 çanta me “Kaptagon” në avionin privat të një princi të familjes mbretërore Al Saud./Gazeta Express/

Lumi Vardar del nga shtrati, rrezikon qytetin e Shkupit.. !!

Pas reshjeve të shumta të shiut në Shkup, lumi Vardar ka dalë nga shtrati në disa vende.

Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorlogjike thonë se në 24 orët e kaluara reshjet e shiut kanë rritur nivelin e ujit në gjithë vendin, veçanërisht në pjesën perëndimore të vendit.

“Për shkak të këtyre rritjeve është e mundur që në disa pjesë lokale të ketë përmbytje andaj porosisim që të vëzhgohet me kujdes situate. Pritet që gjatë  24 orëve në vazhdim përsëri të kemi mot me reshje shiu, fillimisht do të përfshijë më shumë pjesët perëndimore të vendit dhe më pas pritet që rreshje të shiut të përfshijnë të gjithë territorin. Në 24 orët e ardhshme pritet rritje e nivelit  në të gjithë lumenjt”- thuhet nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike.

Sipas të dhënave në terren niveli i ujit më shumë është rritur në lumin Radika, Sateska dhe Vardar.

Sipas paralajmërimeve të DPHM edhe më tej priten reshje të shiut dhe kështu do të vazhdojë edhe më tej rritja e nivelit të ujit në vend.

Më së shumëti rreshje shiu janë reghjistruar Mavrov 130 litër shi  për metër katrorë, në Tetovë 84 l/m2, Dibër 71 l/m2, Shkup 35 l/m2, Oher 34 l/m2.

Ndërtimi i hekurudhës Kërçovë-Lin do të kushtojë 500 milionë euro

Rajoni i Ohrit do të ketë qasje deri te rrjeti i hekurudhës me projektin për ndërtimin e hekurudhës Kërçovë-kufiri me Shqipërinë, në gjatësi prej 63 kilometër. Dokumentacioni projektues dhe tenderik është i përgatitur, kurse në periudhën e ardhshme nga kreditorët ndërkombëtar do të kërkohen 500 milionë eurot e nevojshme për të realizuar këtë Project.

Në prezantimin e sotëm të dokumentacionit të projektit,  e hartuar me 7.7 milion euro nga BE,  ishte pohuar se  aksi i hekurudhës nga Kërçova nëpër male deri te rajoni i Mesheishtës, prej ku kalon pranë Strugës ku edhe do të jetë stacioni kryesor me çka do të vazhdojë në pjesën perëndimore të liqenit të Ohrit, pastaj do të kalojë nëpër Radozhdë dhe do të lidhet me  kufirin me Shqipërinë tek vendbanimi Lin. Ky projekt do të mundësojë lidhjen me korridorin 8.

Pranohet aktakuza për rastin “Tanku”, Jankullovska së shpejti në bankën e të akuzuarve

Këshilli për vlerësimin e aktakuzave ka pranuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale Publike për rastin “Tanku”, transmeton Express.

Për momentin nuk është caktuar data për fillimin e gjykimit ndërsa nuk është caktuar as edhe gjykatësi i cili do të udhëheq lëndën.Rasti “Tenk” ka të bëj me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe autorizimeve nga ana e ish ministres për punë të brendshme Gordana Jankullovska dhe eprorit për furnizime publike Gjoko Popovski, gjegjësisht për blerjen e “mercedesit” luksoz në vlerë prej mbi gjysmë milion euro, me çka e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit.Gjykata e Apelit në Shkup më 8 nëntor vendosi që bisedat e përgjuara për blerjen e “mercedesit” të jenë provë në gjykimin për rastin “Tanku”.


Send this to a friend