VOAL

VOAL

Gjorge Ivanov: Korrigjimi i kufijve, me pasoja zinxhirë në Ballkan dhe më gjerë

Presidenti Gjorge Ivanov gjatë një fjalimi.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i ka kundërshtuar idetë për ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të popullatës në Ballkan, duke theksuar se kjo mund të ketë efekte negative zinxhirë ndaj zonave tjera, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Ai nuk ka specifikuar nëse mendon për debatet që po zhvillohen në Kosovë dhe Serbi për korrigjime të kufijve dhe shkëmbim të popullatës, por ka thënë se idetë e tilla tërheqin rreziqe të shumta.

“Në Ballkan sërish po bisedohet për korrigjim të kufijve, për shkëmbim të kufijve dhe të popullatës. Sikur po harrohet mësimi se çdo plan për korrigjime të kufijve në Ballkan shkakton reagim negativ zinxhiror. Precedentët në Ballkan janë shfrytëzuar dhe do të shfrytëzohen për qëllime tjera në Evropën Lindore, Kaukaz, Lindjen e Afërt, Afrikën Veriore. Këto janë sfida serioze që kërkojnë investime serioze. Për këtë qëllim, investimi në mbrojtje është interes, të cilin qeveria duhet ta ketë parasysh”, ka deklaruar presidenti Ivanov në një manifestim me rastin e 26- vjetorit të themelimit të Armatës së Maqedonisë.

Ivanov ka tërhequr vërejtjen edhe nga, siç ka thënë, kërcënimet e ndryshme, si kriza me emigrantët, por edhe kërcënimet nga individë dhe grupe radikale që, sipas tij, synojnë të rrënojnë vlerat e shoqërisë.

“Shteti territorial po përballet me sfida të reja jo territoriale…Gjatë tre vjetëve të kaluar kemi qenë dëshmitarë vetëm të fillimit të krizës me emigrantët,me të cilën do të përballemi gjatë tërë jetës tonë.. gjithnjë e më të shpeshta janë kërcënimet nga individë e grupe radikale, të cilët kanë për qëllim të anulojnë përparësitë tona dhe mënyrën se si duam të jetojmë”, ka deklaruar presidenti i Maqedonisë, Ivanov, duke tërhequr vërejtjen institucioneve që të jenë në gjendje gatishmërie ndaj sfidave të reja në rajon dhe më gjerë.

Ali Ahmeti: Korrigjimi i kufijve, fushatë mediatike. Kosova ka institucione stabël dhe të përgjegjshme

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka komentuar idenë për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se kjo është më tepër imagjinare dhe fushatë mediatike.

“Kosova ka institucione stabile dhe të përgjegjshme, që dinë të drejtojnë dhe menaxhojnë dhe Kosova ka partnerët e vet, NATO-n, SHBA, BE-në. Ka një opozitë mirë të organizuar, kështu që tani për tani nuk mund të bëjmë një vlerësim derisa nuk ka materie”, ka thënë ai.

Sipas tij, perspektiva e vetme e rajonit është ajo euroatlantike.
“Rajoni është në rrugë të mbarë në integrimet integruese. Çështja e pazgjidhur akoma është në Serbi sa i përket demarkacionit dhe kjo duhet të ketë një epilog, që nuk është e lehtë”, ka thënë Ahmeti për televizionin publik të Kosovës.

Idenë për ndryshim e korrigjim kufijsh e ka nisur Presidenti Thaçi menjëherë pasi kishte dështuar të shfuqizonte Gjykatën Speciale. Në janar të këtij viti Zyra e Thaçit e kishte lënë të hapur idenë e bisedimeve me Serbinë, duke përfshirë edhe temën e kufijve.

Deri tani vetëm Gjermania e Britania kanë dalë krejtësisht kundër, ndërsa, vendet tjera kanë lënë të hapur mundësinë e çfarëdo marrëveshje me të cilën palët mund të pajtohen.

Eurostat: Një në çdo tetë fëmijë në Maqedoni nga marrëdhënie jashtëmartesore

SHKUP – Çdo i teti fëmijë në Maqedoni është nga marrëdhënie jashtëmartesore, apo rreth 12 për qind të numrit të përgjithshëm të fëmijeve të lindur të gjallë në Maqedoni në vitin 2016 kanë lindur jashtë marrëdhënieve martesore, tregojnë të dhënat e Eurostatit, kurse në BE ky numër shkon në 43 për qind.

Sipas Entit për Statistika në Bashkimin Evropian, Eurostat, në vendet e rajonit, këto shifra shkojnë në 58,6 për qind në Bullgari, 41,6 për qind në Kosovë, 26 për qind në Serbi, 19 për qind në Kroaci dhe 9,4 për qind në Greqi.

Mesatarja në nivel të BE-së është rreth 15 për qind mbi vlerën në vitin 2000, prej kur vazhdimisht shënon rritje prej rreth 1 për qind në vit. Kjo tregon për ndryshime të vlerave familjare, apo rritje të numrit të çifteve jashtmartesore dhe prindërve të pavarur.

Në tetë shtete anëtare të BE-së në vitin 2016, sipas Eurostat, ka më shumë fëmijë të lindur në lidhje jashtëmartesore. Në Francë janë regjistruar 60 për qind raste të tilla, në Bullgari dhe Slloveni 59 për qind, Estoni 56 për qind, Suedi 55 për qind, Danimarkë 54 për qind, Portugali 53 për qind dhe Holandë 50 për qind.

Në periudhën 2015-2016, numri i fëmijëve të lindur nga marrëdhëniet jashtëmartesore shënoi rritje thujase në çdo vend anëtare e BE-së, me përjashtim të Estonsë, Italisë, Lituanisë, Letonisë, Hungarisë dhe Britanisë. Në Zvicër dhe Lihtenshtajn, përqindja e fëmijëve të lindur nga marrëdhëniet jashtëmartesore në vitin 2016 ishte nën 25 për qind, krahasuar me Norvegjinë me 56 për qind dhe Islandën me 70 për qind, tregojnë të dhënat e Eurostatit. aa

LDSHM është kundër çdo marrëveshjeje që bëhet për të ardhmen e IRJM pa zgjidhjen e statusit shtetformues të shqiptarëve

LDSHM fton diasporën dhe qytetarët shqiptarë në IRJM për bojkot të referendumit për marrëveshjen për zgjidhjen e çështjes së emrit të IRJM! Kjo, duke u bazuar në argumentet në vijim:

1. Formulimi i pyetjes është bërë i tillë që le te (keq) kuptohet se, në fakt, po votohet pro ose kundër integrimeve në NATO dhe BE ndërkohë që nën rrogoz imponohet votimi i një marrëveshjeje të dëmshme për shqiptarët.

2. E gjithë fushata për referendum zhvillohet në kushtet e një presion te paparë, me një gjuhë kërcënuese dhe shantazhiste, gjë që nuk i ngjason me një fushate për referendum ku qytetaret janë të lire të shprehin vullnetin e tyre, por me një propagande të egër të një regjimi diktatorial, në të cilin votohet nën dhunë psikologjike.

3. Në marrëveshjen për emrin e IRJM, duke lejuar abuzimin (e pjesshëm) për përdorim të brendshëm me emrin e shtetit, dhe abuzimin (e plotë) të emrit të maqedonasve antik, sllavo maqedonasve u lejohet përvetësimi i territoreve dhe shtetit, te cilit i jepen vetëm atribute sllave (neni 1, pika a, b, c dhe d si dhe neni 7, pika 3) duke injoruar ekzistencën e shqiptarëve, dhe duke iu privuar atyre të drejtën mbi territoret dhe shtetin ku jetojnë, identitetin dhe gjuhën e tyre .

4. Po manipulohet hapur me ndjenjat properëndimore dhe pro euro integruese të shqiptarëve për të imponuar një marrëveshje që vulos trajtimin e tyre si qytetarë të rendit të dyte, duke konsumuar mundësinë e pregaditjes së një marrëveshjeje që nuk do të kontestohej nga shqiptarët për zgjidhjen e kontestit për emrin në mes të Greqisë dhe IRJM.

LDSHM thekson se fuqimisht përkrah çdo lloj marrëveshjeje që zgjidh pa dhunë kontestet ndërmjet shteteve dhe popujve ne Gadishullin Ilirik, si dhe vlerëson rolin dhe angazhimin e pazëvendësueshëm të SHBA dhe BE ne këtë drejtim. Shqiptarët kudo që jetojnë kanë qenë dhe janë miqtë më të mëdhenj dhe të padiskutueshëm të këtyre shteteve. Ne vazhdojmë të japim përkrahjen e pakushtëzuar për çdo proces të iniciuar dhe përkrahur nga demokracitë perëndimorë. Por LDSHM është kundër asaj që forca destruktive, vazhdimësi e sistemit të kaluar, së bashku me përfaqësues politik të kapur, dhe të zhytur në krim, të keqpërdorin këto nisma dhe këto marrëveshje, duke u shprehur ne emër te SHBA dhe BE, për të shtyrë projekte në dëm të shqiptarëve.

Përpjekjet tona për të mbrojtur interesat e shqiptarëve, përfshirë këtu ftesën për të mos votuar marrëveshjen për emrin në dëm të shqiptarëve, në asnjë mënyrë nuk nënkupton përkrahje agjendave dhe interesave ruse në këtë pjesë të rajonit apo shpallje lufte integrimeve euroatlantike.

LDSHM është kundër çdo marrëveshjeje që bëhet për të ardhmen e IRJM pa zgjidhjen e statusit shtetformues të shqiptarëve me ndryshime të paevitueshme kushtetuese.

Çdo shmangie nga kjo len hapësirë për ri aktualizim të sigurt të një konflikti ndëretnik në të ardhmen.

Thirrjet antishqiptare gjatë festimeve në Maqedoni, MEPJ dënon gjuhën e urrejtjes

Ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme ka dënuar ashpër thirrjet antishqiptare gjatë festimeve të Ditës së Republikës në Maqedoni.

Në një deklaratë shpërndarë për mediat, MEPJ, ka shprehur keqardhjen për atë që ka ndodhur dhe dënon gjuhën e urrejtjes si dhe thirrjet raciste antishqiptare të hedhura dje gjatë ceremonisë së festimit të kryengritjes së Ilindenit në Meçkin Kamen në Krushevë.

“Besojmë se këto janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme dhe shpresojmë që incidente të tilla që ndjellin urrejtje ndëretnike të mbeten të izoluara.

MEPJ i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të hetojnë nxitësit e dhunës dhe vendosjen e tyre para drejtësisë .Ne besojmë në vlerat e bashkëjetesës, në harmoninë dhe bashkëpunimin midis vendeve e qytetarëve tanë’, përfundon deklarata e MEPJ-së”, – bëhet e ditur në deklaratë.

Maqedoni: Referendumi mbi ndryshimin e emrit, më 30 shtator

Parlamenti i Maqedonisë miratoi zhvillimin e referendumit për ndryshimin e emrit të vendit më 30 shtator. Referendumi u miratua me nismën e 68 deputetëve të shumicës parlamentare.

Pyetja e referendumit: “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO me pranimin e marrëveshjes midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?” ka nxitur reagimin e VMRO-DPMNE-së të opozitës, e cila thotë se formulimi i pyetjes është i dykuptimtë dhe manipulativ.

Opozita kërkonte një pyetje me kuptim të qartë, por ajo nuk ishte e pranishme për të diskutuar mbi amendamentet që kishte paraqitur vetë. Shumica parlamentare thotë se me një referendum të suksesshëm, vendit do t’i hapen dyert e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ndërsa populli maqedonas ruan identitetin dhe gjuhën maqedonase të garantuar me marrëveshjen e Prespës, me palën greke.

Opozita maqedonase nuk do të votojë vendimin për shpalljen e referendumit

SHKUP – Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE ka bërë të ditur se nuk do ta votojë vendimin për shpalljen e referendumit për emrin, e cila pritet të kalojë në seancë kuvendore ku sipas Marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë emri zyrtar i vendit do të ndryshohet në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Jozyrtarisht, pritet që deputetët nga shumica parlamentare me nënshkrimet e tyre të inicojnë marrje të vendimit për shpallje të referendumit për emrin, ashtu siç është parashikuar me Ligjin për referendum.

Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev, para Kuvendit të Maqedonisë deklaroi se partia e tij do të marrë pjesë në seancën për marrjen e vendimit për shpalljen e referendumit, por do të kërkojë që shumica parlamentare të heq dorë nga kjo sjellje e tyre ndaj referendumit.

“Jemi të vetëdijshëm se marrëveshja është e dëmshme, ata po përpiqen të detyrojnë me forcë nxitjen e një çështjeje shumëdimensioanle, pa marrë parasysh argumentet e opozitës. VMRO-DPMNE në atë proces nuk do të lejojë të jetë alibi e pushtetit dhe vetëm një dekor. Pyetja në referendum duhet të jetë e përpiktë dhe të qartësohet, në mënyrë që qytetarët të mund të përgjigjen me ‘për’ ose ‘kundër’”, deklaroi Janushev.

Pyetja që aktualisht paralajmërohet, sipas tij, mund t’i çojë qytetarët në konfuzion, pasi që siç tha ai, mbështetja për integrimin e vendit në NATO dhe BE nuk ka të bëjë me mbështetjen e marrëveshjes me vendin fqinj.

Për bojkot të mundshëm të referendumit, ai tha se do të vendosin organet më të larta të partisë dhe publiku do të njoftohet.

“LSDM dëshiron të nënshkruajë një marrëveshje kapitulimi. Ne kërkojmë që shumica parlamentare të heqë dorë nga sjellja e tillë. Zaev dhe LSDM kanë përgjegjësi për marrëveshjen anti-shtetërore dhe të kapitulimit”, u shpreh Janushev.

Më herët, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili mori pjesë në një aktivitet në Kumanovë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve paralajmëroi se 30 shtatori është data e shënuar për mbajtjen e referendumit, ndërsa pyetja në referendum, bëri të ditur ai, do të jetë “A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO përmes mbështetjes së marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë”.

Dita e sotme në Kuvend filloi me deklaratat solemne të anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), me çka zyrtarisht u krijuan kushte që ata të marrin detyrat e tyre dhe të fillojë organizimi i referendumit. aa

Në Muzeun e Shkupit rikthehet porosia e Titos pas tërmetit katastrofal

“Shkupi përjetoi një katastrofë të paparë, por Shkupin përsëri do ta ndërtojmë me ndihmën e të gjithë komunitetit. Ajo do të mbetet krenari dhe një simbol i vëllazërisë dhe unitetit, i solidaritetit jugosllav dhe botës”, tha Tito

SHKUP – Me rikthimin e shkronjave nga porosia e Josip Broz Titos, ish-presidentit jugosllav, në anën lindore të Muzeut të Qytetit të Shkupit, sonte kanë filluar ngjarjet kulturore për të shënuar 55 vjetorin nga tërmeti katastrofal i vitit 1963, që shkatërroi qytetin e Shkupit.

Shkronjat e vendosura në fasadën në lindje të Muzeut përbëjnë fjalinë e famshme të Josip Broz Titos, që e tha një ditë pas tërmetit katastrofal në Shkup.

“Shkupi përjetoi një katastrofë të paparë, por Shkupin përsëri do ta ndërtojmë me ndihmën e të gjithë komunitetit. Ajo do të mbetet krenari dhe një simbol i vëllazërisë dhe unitetit, i solidaritetit jugosllav dhe botës”, tha Tito, më 27 korrik të vitit 1963 në Shkup.

Në këtë ngjarje të organizuar nga Qyteti i Shkupit, kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, tha se porosia e Josip Broz Titos duhet të qëndrojë përgjithmonë në murin e Muzeut si shenjë respekti për të gjithë ata shkaku i të cilëve, siç theksoi ai, edhe sot Shkupi me krenari quhet “Qyteti i Solidaritetit”.

“Justifikimi për heqjen e këtyre shkronjave ishin të ashtuquajturat ‘arsye ideologjike’ të atyre që donin të fshin një ndër periudhat më të rëndësishme të historisë së afërt të qytetit tonë. Porosia që dëshmonte gjatë për solidaritetin e Shkupit dhe që iu dha botës, sot përsëri kthehet në muret e veta”, u shpreh Shilegov.

Fjalia e ish-udhëheqësit jugosllav qëndroi në fasadën e objektit të stacionit të vjetër hekurudhor nga viti 1974 deri në vitin 2001, e cila më pas u largua dhe dhjetë vitet e ardhshme lexohej vetëm nga ngjitësit e mbetur në mur, por në vitin 2010, kur objekti u rikonstruktua, fjalia u zhduk plotësisht.

Stacioni hekurudhor u dëmtua gjatë tërmetit dhe më vonë u vendos Muzeu i sotëm i Qytetit të Shkupit. Si monument historik për këtë tërmet u ruajt ora e Stacionit Hekurudhor të vjetër të Shkupit, e cila ndaloi së punuari nga goditja e tërmetit saktësisht në orën 05:17 dhe nga ajo kohë kjo orë ruhet edhe sot.

Kujtojmë se nga tragjedia që shkatërroi Shkupin humbën jetën 1.070 persona dhe u plagosën 3.000 të tjerë. Si pasojë e tërmetit u shkatërruan 15.800 ndërtesa, u dëmtuan 28.000 të tjera, ndërsa pa kulm mbi kokë mbetën 200.000 persona. Ky qytet u godit nga tërmeti me fuqi prej 6.1 ballëve sipas shkallës Rihter me epiqendër në sheshin “Maqedonia”. Tragjedia ndodhi në 26 korrik të vitit 1963.

Nga tragjedia në Shkup u shqetësua dhe u angazhua mbarë bota. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar u bëri thirrje të gjitha organizatave nacionale të organizojnë ushqim për fëmijët e Shkupit. Unioni interparlamentar dërgoi rekomandim tek të gjitha parlamentet dhe qeveritë që të ndihmojnë në riparimin e qytetit. Organizatat humanitare në shumë vende iu qasën grumbullimit të ndihmave për Shkupin. Kështu Shkupi u bë qytet i solidaritetit ndërkombëtar.

Nën moton “Shkupi flet”, me rastin e 55 vjetorit të shënimit të kësaj fatkeqësie natyrore, këtë javë do të organizohen rreth 20 ngjarje kulturore në disa lokacione të qytetit, ku do të bashkojë artin figurativ, teatral, atë të filmit dhe atë multimedial, përfshirë edhe aktivizimin qytatar lidhur me konceptin e tërmetit, por edhe me historinë kulturore të metropolit. aa

NATO fton Maqedoninë të nisë negociatat e anëtarësimit

Takimi i NATO-s në Bruksel, 11 korrik 2018.

NATO e ftoi zyrtarisht Maqedoninë të nisë bisedimet për anëtarësim në aleancën veriatlantike.

Ftesa u bë pas një takimi në Bruksel të krerëve të 29 shteteve anëtare.

Ajo vjen pasi Maqedonia ka zgjidhur një kontest shumëvjeçar me Greqinë, për emrin e saj.

Perspektiva e Maqedonisë në NATO ka zemëruar Rusinë, e cila për kohë të gjatë ka kundërshtuar zgjerimin e aleancës në lindje.

Sipas disa njoftimeve në media, të mërkurën, Greqia do të dëbojë dy diplomatë rusë, nën dyshimet se kanë bërë përpjekje për të dëmtuar marrëveshjen që Greqia ka arritur me Maqedoninë.

Në baza vjetore rreth një miliard euro nga diaspora hyjnë në Maqedoni

SHKUP – Maqedonia si shtet ka traditë të gjatë të shpërnguljes së popullsisë në vendet e ndryshme të botës, ku njerëzit emigrojnë për arsye të ndryshme, por më së shumti për shkaqe ekonomike.

Në shumë vende të botës jetojnë njerëz me origjinë nga Republika e Maqedonisë, të cilët lidhjet e tyre familjare, tradicionale dhe kulturore i mbajnë me vendin e tyre të origjinës.

Edmond Ademi është ministër pa resor në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë përgjegjës për diasporën. Në një bisedë me Anadolu Agency (AA), ai foli për rëndësinë e diasporës, nevojat dhe problemet e tyre, por edhe për aktivitetet që ai si ministër dhe qeveria i zbatojnë për lidhjen e diasporës me vendin, jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe në atë ekonomik.

Siç theksoi ministri Ademi, nuk ka të dhëna konkrete statistikore se sa të shpërngulur nga Maqedonia gjenden në vende të caktuara, ka informacione të ndryshme, por, siç thotë ai, diaspora e Maqedonisë kryesisht jeton në disa vende evropiane, duke përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Italinë, Austrinë dhe Suedinë, ndërsa në vendet e tjera evropiane gjendet në numër më të vogël, kurse në kontinente të tjera, në Kanada, SHBA dhe Australi gjithashtu jeton numër i madh i personave me origjinë nga Maqedonia.

Qasja institucionale për zgjidhjen e problemeve të diasporës

Ministri Ademi theksoi se për herë të parë një qeveri në Maqedoni emëroi ministër përgjegjës për diasporën prej kur u formua qeveria e re më shumë se një vit më parë, ndërsa në këtë mënyrë ka filluar bashkëpunimi me organizatat e diasporës, por edhe drejtpërdrejt me njerëzit.

Nga bisedimet me diasporën, Ademi thotë se nevojat më të zakonshme të diasporës janë të natyrës administrative.

“Nevojat më të shpeshta janë çështje administrative, qoftë nxjerrje dokumentesh, pasaportash dhe gjëra të tjera, por edhe mbështetje për aktivitetet në pjesën e aktiviteteve kulturore dhe arsimore, mësimi i gjuhës së tyre amtare… Sigurisht, këtu në konceptin ekonomik rreth investimeve, nevojat janë të ndryshme në varësi nga shteti në shtet, por në përgjithësi ajo që mund të konkludohet është se në 25 vitet e kaluara, por në radhë të parë brenda 11 viteve, një pjesë e diasporës ishte abuzuar për qëllime politike dhe partiake për zgjedhjet dhe nuk ka pasur qasje institucionale për zgjidhjen e problemeve të tyre”, thotë Ademi, duke shtuar se pas një viti të detyrës së tij si ministër janë duke e formësuar procesin e bashkëpunimit me diasporën, por shpjegon se duhet ende punë dhe përpjekje që kjo të jetë në nivelin e duhur.

Veprimet e përbashkëta të Diasporës

Ademi thotë se në Maqedoni dhe në diasporë, qytetarët me prejardhje nga ky vend janë të ndarë sipas përkatësisë etnike, por ai theksoi se do të donte të shihte një bashkëpunim më të madh ndërmjet diasporës, ndërmjet të gjithë qytetarëve me origjinë nga Maqedonia, pavarësisht nga përkatësia etnike.

Duke i treguar përvojat e tij, Ademi thotë se ka qytete dhe vende ku diaspora vepron bashkërisht dhe ka bashkëpunim, por thotë se këto janë vetëm disa raste.

“Ndarjet në Maqedoni në 27 vitet e fundit në baza etnike kanë reflektuar edhe jashtë, ndoshta më shumë se brenda, por ende në diasporë ka njerëz nga dy bashkësitë më të mëdha etnike në Maqedoni dhe bashkësitë më të vogla me origjinë nga Maqedonia, të cilat bashkëpunojnë në projekte dhe aktivitete të ndryshme, kështu që edhe tani në diasporë kemi edhe organizatë që është multietnike, Forumi për Maqedoni Demokratike në të cilin ka anëtarë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë dhe romë, dhe unë besoj se dalëngadalë, koncepti që e kemi brenda si qeveri për të ndërtuar një shoqëri të barabartë për të gjithë, do të mund të reflektohet edhe në diasporë”, shprehet Ademi.

Zyra për bashkëpunim me diasporën në komunat e Maqedonisë

Nga takimet me diasporën, Ademi tregon se problemi i parë me të cilin ata përballen është se kur vijnë për të kryer ndonjë çështje administrative dhe burokratike, ata hasin në mungesë të informacionit se ku duhet të drejtohen për një çështje të caktuar. Prandaj, Ademi thekson nevojën për të hapur zyra për bashkëpunim me diasporën në komunat e Republikës së Maqedonisë.

Të udhëhequr nga përvoja e vendeve në të cilat ata jetojnë, njerëzit nga diaspora shpesh u drejtohen komunave në të cilat janë të vendosur, sepse komuna është si një qendër për të gjitha aktivitetet të cilat duhet t’i kryejnë, andaj, siç thotë Ademi, kanë konsideruar se do të ishte mirë të ketë zyra për diasporën, në kuadër të të cilave ata mund të marrin informacione të sakta, se cila çështje ose problem ekziston në institucionin e caktuar, në mënyrë që të mos të humbin kohë duke bredhur nëpër institucione dhe sportele, por t’u mundësohet që pjesën më të madhe të kohës ta kalojnë me të dashurit e tyre, në vend që kohën e qëndrimit ta kalojnë nëpër procedura burokratike në vend.

Në këtë kontekst, shpjegon ministri përgjegjës për diasporën, Manuali për të Shpërngulurit të cilin së fundmi e ka promovuar Agjencia e Emigrimit e Maqedonisë është me dobi të madhe për diasporën dhe përmban informata të dobishme për të cilat ata kanë nevojë.

“Një nga aktivitetet që kemi pasur është promovimi i Manualit. Ai është projekt i Agjencisë së Emigrimit, me pyetje dhe përgjigje specifike, rreth asaj se në cilin institucion mund të nxjerrin dokumente të caktuara, disa indormacione praktike se ku duhet paraqitur kur të vijnë në Maqedoni dhe informata praktike që do të jenë të dobishme për ta kur të mbërrijnë në vend”, shpjegoi Ademi.

Nga marrëveshja politike e partive varet se si do të jetë modeli i zgjedhjeve

Lidhur me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe rolin e diasporës në proceset politike në vend, ministri Ademi thotë:

“Ligji zgjedhor parashikon mundësinë që diaspora të votojë, kjo ndodhi për herë të parë në vitin 2011, në vitin 2014 dhe tani në vitin 2016, dhe mundësia ngelet e tillë, që diaspora të votojë, ndërsa para së gjithash bëhet fjalë për ata që kanë shtetësi të Republikës së Maqedonisë. Se a do të votojë në një zonë të veçantë jashtë, siç është tani 6+1, por votat do të rrjedhin në numrin e përgjithshëm të votave këtu në Maqedoni, kjo do të varet shumë nga marrëveshja politike mes partive politike për ndryshimet në sistemin zgjedhor, ndërsa ne si parti qeverisëse dhe si qeveri jemi të angazhuar për një zonë zgjedhore, në vend të gjashtë zonave, kështu që edhe nëse diaspora voton, ato vota do të rrjedhin në numrin total këtu në Maqedoni”.

Ai thekson se e drejta e votës për personat që jetojnë në diasporë dhe që kanë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë mbetet, por mbetet të shihet se si do të vendosin partitë politike, a do të mbetet si më parë me gjashtë njësi zgjedhore në Maqedoni dhe një jashtë vendit për diasporën, ose Maqedonia do të jetë një zonë zgjedhore.

Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe për partneritet strategjik shkaktoi reagime të ndryshme te qytetarët në Maqedoni, por edhe në diasporë. Ademi thekson se një pjesë e diasporës nuk e pranuan këtë marrëveshje dhe atë e shprehën publikisht, por ka një pjesë të diasporës të cilët marrëveshjen e shohin si hap pozitiv për Maqedoninë, sepse, siç thotë ai, ajo marrëveshje hap rrugën për në BE dhe NATO, që janë qëllime stretegjike për Maqedoninë.

“Në vet procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE, absolutisht diaspora në këtë proces mund të luajë një rol të rëndësishëm në lobimin dhe proceset e brendshme. Për mua do të ishte mjaft atipike, të jetoni në një vend anëtar në NATO dhe BE, ndërsa të jeni kundër që vendi juaj i origjinës të bëhet anëtare në këto organizata. Mendoj se marrëveshja me Greqinë është një hap i madh përpara, plotësisht është i mbrojtur identiteti, gjuha dhe kultura maqedonase. Diaspora maksimalisht duhet ta përdorë këtë moment dhe në drejtim pozivtiv në mënyrë që Maqedonia të mund edhe më shpejtë të ecë përpara”, tha Ademi dhe shtoi se qytetarët në referendum do të kenë mundësinë që personalisht të shprehen për Marrëveshjen me Greqinë.

Ai shtoi se Ligji aktual për referendumin nuk parashikon që për diasporën të ketë vendvotime, përkatësisht ata që kanë shtetësi maqedonase kanë të drejtë të votojnë, por për të shfrytëzuar këtë të drejtë ata duhet të vijnë në Maqedoni.

Ligji aktual për referendumin, thotë Ademi, nuk parashikon hapjen e qendrave të votimit ashtu siç është rasti në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Ai shpjegon se nëse ka ndryshime në këtë seksion, publiku do të informohet në kohën e duhur.

Rreth një miliard euro nga diaspora hyjnë në Maqedoni

Roli i diasporës në kushtet e ekonomisë në vend është me rëndësi të madhe, thotë ministri Ademi, duke shpjeguar se qeveria ka bërë përpjekje për të mbështetur investimet që vijnë nga diaspora.

“Segmenti ekonomik po ashtu është shumë i rëndësishëm dhe në atë pjesë nga ajo që zyrtarisht ekziston në Bankën Popullore, në baza vjetore rreth 460-500 milion euro hyjnë zyrtarisht, përmes atyre kanaleve bankare apo transferi i parave. Megjithatë, jozyrtarisht, numrat arrijnë edhe deri në një miliardë, që është një kapital mjaft i madh që hyn në Republikën e Maqedonisë”, thekson Ademi.

Ministri maqedonas i angazhuar për diasporën bën të ditur se që moti Qeveria e Maqedonisë si mbështetje të proceseve të investimeve ka sjellur edhe Ligjin për mbështetje të investimeve, të cilin Kuvendi e miratoi, dhe për herë të parë përveç investitorëve të huaj dhe vendas të cilët do të marrin mbështetje nga shteti në varësi të investimeve, edhe investitorët e diasporës janë vendosur veçmas.

Ademi shpjegon se ekziston edhe neni në Ligjn për mbështetje të investimeve (neni 33), ku investimet nga diaspora do të marrin një mbështetje shtesë prej dhjetë për qind nga shteti dhe kjo është një mbështetje specifike dhe e drejtëpërdrejtë e investitorëve nga diaspora drejt avancimit ekonomik të shtetit.

Bashkëpunimi me organizatat e diasporës

Lidhur me bashkëpunimin dhe kontaktet me organizatat e diasporës me origjinë nga Maqedonia në vendet e huaja, Ademi thotë se kudo që ai të shkojë gjatë vizitave, ka krijuar një sistem dhe ka takime me institucionet e shtetit në mënyrë që t’i sjellë nevojat dhe porositë e diasporës.

“Unë realizoj takime dhe me organizatat maqedonase edhe me ato shqiptare nga Maqedonia që jetojnë atje. Me Diasporën e Bashkuar të Maqedonisë (OMD) kam pasur mjaft takime dhe kontakte, komunikojmë. Megjithatë, pas Ligjit mbi gjuhët, OMD vendosi të ndërpresë komunikimin me qeverinë dhe që atëherë komunikim formal nuk kemi pasur”, tha Ademi.

I pyetur në lidhje me qendrat kulturore të Maqedonisë në vendet e huaja, ministri Ademi thekson se ka mungesë të qendrave kulturore dhe se parashikohet që në të ardhmen të ketë më shumë institucione të tilla.

“Absolutisht ka mungesë të qendrave kulturore. Tani për tani ka tre, në New York, në Sofje dhe në Stamboll. Në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Ministrisë së Kulturës, ndër të tjera parashikohet hapja e qendrave kulturore në qytete të tjera, të tillë si në Zagreb, Ljubljanë dhe ndoshta edhe në disa qytete tjera. Nevoja për hapjen e qendrave kulturore është e rëndësishme dhe kuptohet se si qeveri do të angazhohemi të hapim qendra të tilla në ato vende dhe në ato qytete ku koncentrimi i njerëzve tanë që jetojnë atje është më i madh”, thekson Ademi.

Regjistrimi duhet të shihet si një operacion statistikor, jo si një operacion politik

Lidhur me rëndësinë e kryerjes së regjistrimit të popullsisë në Maqedoni, ministri Ademi thekson se regjistrimi është i rëndësishëm në shumë aspekte.

“Për fat të keq, regjistrimi në Maqedoni në përgjithësi është parë si një operacion politik, ndërsa duhet të shihet një një operacion statistikor. Në kuptim, është dokument i rëndësishëm jo vetëm sa popullsi kemi, por regjistrimi paraqet drejtimin e lëvizjes së vendit dhe zhvillimit të vendit në shumë fusha, por për shkak të llogaritjeve të tilla në vitin 2011 dështoi. Ajo që është me rëndësi për ne është të punojmë në këtë drejtim, me metodologjinë e EUROSTAT-it, që regjistrimi të jetë pa asnjë ndikim partiak dhe dëshirave të dikujt. Unë besoj se në atë pjesë, kur të krijohet metodologjia, do të dihet saktësisht se kush janë ato njësi statistikore që do të regjistrohen në regjistrimin e popullsisë që do të mbahet në vitin 2020”, deklaron Ademi.

Ftesë nga Qeveria e Turqisë për të vizituar diasporën nga Maqedonia

Ai thekson se Maqedonia ka diasporën e saj edhe në Turqi dhe bën të ditur se nga qeveria turke është ftuar për të organizuar takime me diasporën nga Maqedonia që jeton në këtë vend.

“Maqedonia dhe Turqia janë dy vende miqësore për një kohë të gjatë. Turqia është një mbështetës i madh i Maqedonisë në të gjitha proceset dhe e dimë se ka një pjesë të madhe të brezave, qytetarëve të Maqedonisë, që jetojnë dhe punojnë në Turqi. Jo shumë më herët, dy ose tre javë më parë, kisha një ftesë nga qeveria turke për të vizituar Turqinë dhe për të organizuar takime me diasporën tonë”, thekson Ademi, duke shprehur shpresë se do të realizojë vizitën që të shihet edhe me njerëz zyrtar të Qeverisë së Turqisë dhe me organizatat e qytetarëve të Maqedonisë që jetojnë dhe punojnë atje.

Maqedonia të mërkurën merr ftesë për anëtarësim në NATO

SHKUP – Të mërkurën më 11 korrik, në ditën e parë të Samitit të NATO-s në Bruksel, Republika e Maqedonisë do të marrë ftesë për t’iu bashkuar Aleancës Veri-Atlantike, deklaroi në një brifing me gazetarë koordinatori Kombëtar për NATO-n, Stevo Pendarovski, i shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Ministrja Shekerinska u tha gazetarëve se Maqedonia është para një shansi historik për të përmirësuar gabimin nga 10 vjet më parë, nga Samiti në Bukuresht kur nuk mori anëtarësim, sepse siç tha, të qenurit jashtë Aleancës, i ka kushtuar shtrenjtë Maqedonisë, sidomos në plan të brendshëm sepse vendi u përball me një krizë institucionale dhe politike.

Ajo tha se shpreson që opozita të luaj në mënyrë konstruktive me zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) që do të duhet të organizojë referendumin për marrëveshjen me Greqinë, sepse siç tha, anëtarësimi në NATO është një përcaktim edhe i opozitës, e cila çdoherë është thirrur në referendum për çështjen e emrit.

Shekerinska shtoi më tej se momenti është shumë historik, sepse edhe në Greqi, kemi një shumicë parlamentare e cila përkrahë marrëveshjen për çështjen e emrit.

Pendarovski sqaroi se formulimi të cilin Maqedonia do ta marrë në ftesën për anëtarësim më 11 korrik, nuk do të dallojë fare me ato të Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku thuhet se “NATO, fton shtetin respektiv të çel negociata për anëtarësim”, për çka më vonë, qeveria do të duhet t’i përgjigjet se është e vullnetit t’i bashkohet NATO-s.

Sipas tij, ftesa është një moment i rëndësishëm, pas çka vijon faza përfundimtare, që është ratifikimi i saj nga Parlamentet e vendeve anëtare të Aleancës, mirëpo “ndërkohë do të duhet të përmbushim detyrat e shtëpisë, që janë referendumi i suksesshëm dhe ndryshimet kushtetuese”.

Ministra e Mbrojtjes, Shekerinska, nuk pret bllokada shtesë, me sqarimin se për të marrë ftesë për anëtarësim, shteti aspirant do të duhet ta ketë pëlqimin e të gjitha 29-të shteteve anëtare të NATO-s, që në rastin e saj Maqedonia e ka. aa

Shkup: Dënohen sulmuesit e deputetit Ziadin Sela

Gjykata themelore në Shkup i dënoi me 80 vjet burg shtatë personat e akuzuar për tentim vrasje ndaj deputetit Ziadin Sela.

Gjykata thekson se të akuzuarit janë fajtorë për shkak se me vetëdije janë përpjekur që ta vrisnin deputetin Sela më 27 prill, 2017 kur kishin hyrë në hapsirat e parlamentit dhe ishin drejtuar kah qendra e konferencave të shtypit ku ndodhej deputeti.

Nikolla Vojminovski u dënua me 13 vjet e 6 muaj burg, Aleksandar Janevski Toshta me 13 vjet.

Këta dy, sipas verdiktit të gjykatës, e kanë tërhequr zotin Sela nga këndi ku ndodheshin ligjvënsit e tjerë, duke u mundësuar të akuzuarve të tjerë që ta godisnin të dëmtuarin.

“Veprën e rëndon edhe më tepër akti i Vojminovskit dhe Janevskit kundër një funksionari të zgjedhur i cili në atë kohë ndodhej në vendtin e tij të punës; Ata me vetëdije kishin hyrë në parlament dhe pa leje dhe pa kontroll lëviznin brenda këtij institucioni”, theksohet në aktvendimin e gjykatës.

Kire Gjeorgievski u dënua me 11 vjet burg. Ndërkaq, katër të tjerëve, Nikollçe Dimitrievskit, Andrej Micovit, Kosta Dellovit dhe Oliver Oshavkovskit iu caktuan nga 10 vjet e gjysëm burg.

Disa nga të akuzuarit e pritën me lot në sy vendimn e gjykatës.

Prokurori i lëndës, Darko Jakimovski propozoi që tashmë të dënuarve t’u vazhdohet masa e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak deri në hyrjen në fuqi të vendimit për vuajtjen e dënimit me burg.

Ivanovi nuk e nënshkruan vendimin për ndryshimin e emrit të Maqedonisë

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka bërë të ditur se nuk e nënshkruan vendimin e parlamentit për ratifikimin e marrëveshjes për ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

“Nuk kam mandat që ta nënshkruaj vendimin. Një nga shtyllat e politikës sime të programit parazgjedhor ka qenë se nuk pranoj ndryshimin e Kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues”, nënvizon Ivanov në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij.

Ai thekson më tej se nuk pranon ide as propozime të cilat “do ta rrezikonin identitetin kombëtar maqedonas, veçoritë e kombit maqedonas, gjuhën maqedonase dhe modelin maqedonas të bashkëjetesës”.

Z. Ivanov thotë se marrëveshja me Greqinë nuk ka bazë kushtetuese:

se ligji për ratifikimin e marrëveshjes nuk është në përputhje me nenet 51, 118 dhe 119 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.

Ai vlerëson se marrëveshja e vë Maqedoninë në një pozitë të nënrenditur dhe të varur ndaj një shteti tjetër, përkatësisht ndaj Greqisë dhe kjo, sipas tij, “është e dënueshme me ligj prej më së paku pesë vjet burg për personin që e bën këtë vepër”.

Parlamenti i Maqedonisë para një jave e miratoi me 69 vota marrëveshjen e nënshkruar në rajonin e Prespës greke më 17 qershor nga ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë, Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov në praninë e kryeministrave të dy vendeve fqinje dhe të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe të OKB-së.

Pas këtij vendimi të presidentit maqedonas, parlamenti pritet ta miratojë për së dyti marrëveshjen, pa zhvilluar më debat dhe në një rast të tillë presidenti i vendit, sipas kushtetutës, detyrohet ta dekretojë vendimin.

Por Ivanov ka treguar edhe më parë se nuk i përfill detyrimet kushtetuese, siç ishte rasti me ligjin e gjuhëve që i mundësonte një shtrirje të gjerë përdorimit të gjuhës shqipe e që nuk mund të hyjë në fuqi pa nënshkrimin e presidentit.

Nga ana tjetër, drejtues shtetërorë me ndikim dhe të organizatave ndërkombëtare kanë uruar kryeministrat Zaev dhe Tsipras për marrëveshjen, e cila Republikës së Maqedonisë Veriore do t’i hapte rrugët e integrimit evropian dhe euro-atlantik.

Qeveria në Shkup planifikon që marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit ta nxjerrë në referendum në fillim të vjeshtës. Më pas, parashihen të bëhen edhe ndryshime kushtetuese.

Stoltenberg: Në korrik vendimi për Maqedoninë, pranimi varet nga referendumi

Stoltenberg pret të arrihet një pëlqim që Maqedonia të ftohet për anëtarësim të plotë, megjithatë thotë se që kjo të ndodhë, do të duhet zbatimi plotë i marrëveshjes me Greqinë

SHKUP – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi të hënën se pret nga liderët e shteteve të Aleancës, që në samitin e korrikut të marrin një vendim për fillim zyrtar të negociatave mbi anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO.

Stoltenberg pret të arrihet një pëlqim që Maqedonia të ftohet për anëtarësim të plotë, megjithatë thotë se që kjo të ndodhë, do të duhet zbatimi plotë i marrëveshjes me Greqinë, më saktësisht pranimi i marrëveshjes në referendumin e vjeshtës.

“Pres që krerët e shteteve dhe të qeverive, të dakordohen për negociatat për pranim, pastaj do të mund të ftojmë IRJ të Maqedonisë të bëhet anëtare e plotë, me kusht që Marrëveshja të finalizohet. Finalizimi do të thotë ratifikim i plotë, referendum dhe votim pozitiv”, tha Stoltenberg.

Ai shtoi se dështimi i referendumit, do të thotë që Maqedonia të mos marrë ftesë për anëtarësim në NATO.

“Nëse Marrëveshja nuk merr përkrahjen, nuk shoh një mundësi për vendin. Ky është një rast i veçantë që duhet të përqafohet”, tha Stoltenberg. aa

Shqiptarët në Maqedoni do t’i përgjigjen pozitivisht referendumit për emrin

SHKUP- Kreu i BDI-së Ali Ahmeti është i bindur se shqiptarët do t’i përgjigjen pozitivisht referendumit për çështjen e emrit të Maqedonisë, i cili sipas paralajmërimeve do të mbahet në vjeshtë. Ahmeti ka theksuar se zgjidhja e emrit është e një rëndësie të madhe, pasi në këtë mënyrë sigurohet ardhmëria e Maqedonisë.

“Unë mendoj që shqiptarët janë të përgjegjshëm, e dinë rëndësinë e kësaj çështje kaq të madhe të ardhmen e shqiptarëve të Maqedoni dhe vendit dhe do t’i përgjigjen pozitivisht referendumit, do të jenë pjesëmarrës, vulosës të një procesi jashtëzakonisht të rëndësishëm mbi të ardhmen mbi perspektivën, por edhe njëherë kontribuues të mëdhenj të paqes, stabilitetit dhe sigurisë dhe ardhmërinë e këtij vendi – tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Maqedonia me indeksin më të ulët të çmimeve në Evropë

Maqedonia është vendi me indeksin më të ulët të çmimeve në Evropë, ndërsa Islanda me nivelin më të lartë.

Instituti i Statistikave të Turqisë (TUIK) shpalosi rezultatet e Paritetit të Fuqisë Blerëse (PFB) për vitin e kaluar sipas indeksit të nivelit të çmimeve për shpenzimet e konsumit familjar.

Në rezultate janë përfshirë 28 shteteve të Bashkimit Evropian (BE), 3 shteteve të Shoqatës Evropiane për Tregti të Lirë (EFTA) (Zvicra, Islanda dhe Norvegjia), 5 shtete kandidate (Turqia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia) si dhe një shtet kandidat potencial.

Hulumtimi i zbatuar në 37 vende tregon se me indeksin më të ulët të çmimeve prej 47 është Maqedonia, ndërsa me indeksin më lartë prej 166 është Islanda.

Indeksi i nivelit të çmimeve tregon fuqinë blerëse të valutave kombëtare të vendeve në krahasim me kursin e këmbimit. Në rast se indeksi i nivelit të çmimeve të një vendi është mbi 100 atëherë ky vend konsiderohet si i “shtrenjtë” në mesataren e vendeve me të cilat krahasoshet, ndërsa nëse është më e ulët se 100 atëherë konsiderohet si i “lirë”. aa

Shkup, parlamenti ratifikon marrëveshjen për emrin

Parlamenti i Maqedonisë e ratifikoi marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit. 69 ligjvënës që ishin të pranishëm në seancën plenare votuan pro, ndërsa opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE e bojkotoi seancën.

Ky akt i ratifikimit i hap rrugën referendumit të paralajmëruar për në shtator ose tetor, ku qytetarët e Maqedonisë do të deklarohen nëse duan që emri i vendit të tyre të jetë “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Kryeministri Zoran Zaev, duke folur në parlament, tha se marrëveshja ruan identitetin e popullit maqedonas dhe gjuhën e tij dhe e quajti atë si arritjen më të mirë të mundshme për të dy vendet.

Para aktit të votimit, ai njoftoi deputetët se Këshilli Veriatlantik i Natos sapo kishte marrë vendim që ftesa për Maqedoninë të vihet në rend dite në samitin e pritshëm të Aleancës.

Në bazë të marrëveshjes, Greqia duhet ta njoftojë presidentin e Këshillit Evropian, se nuk ka çështje të hapura me vendin fqinj, duke dhënë njëkohësisht mbështetje për anëtarësimin e Maqedonisë (së Veriut) në Bashkimin Evropian dhe po ashtu ta njoftojë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për mbështetjen greke të vendit fqinj për anëtarësim në NATO.

Pas ratifikimit, presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov ka një afat prej shtatë ditësh që ta dekretojë marrëveshjen; në të kundërtën, parlamenti detyrohet që për së dyti ta miratojë atë dhe kjo e detyron presidentin që të japë nënshkrimin e tij. Ivanov disa herë është prononcuar kundër marrëveshjes./Isak Ramadani

Shkup, qeveria miraton marrëveshjen për “Maqedoninë e Veriut”

Marrëveshja e nënshkruar me palën greke për emrin e ri të vendit sot është miratuar në unanimitet nga mbledhja e kabinetit maqedonas.

Tani pritet që projektligji për ratifikim të kalojë në Kuvend, për t’u votuar edhe atje gjatë një seance plenare.

Në njoftimin e qeverisë së Maqedonisë thuhet se ajo “ka shqyrtuar dhe aprovuar projektligjin për ratifikim të marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve, siç përshkruhet në Rezolutën e Këshillit të Kombeve të Bashkuara 817 (1993) dhe 845 (1993), ndërprerje të Kornizës Kohore të vitit 1995 dhe vendosjen e partneritetit strategjik ndërmjet palëve, me propozim të Ministrisë për Punët e Jashtme.”

Megjithatë, identiteti i komisionit kuvendor që do të kalojë leximin e parë të projektligjit për ratifikimin e emrit “Maqedonia e Veriut” mbetet i paqartë.

“Nuk ka dilema, komisionin e vendos kryetari i Kuvendit në bazë të projektligjit të dorëzuar, në pajtueshmëri me Rregulloren e Kuvendit”, ka deklaruar ndërkohë koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomislav Tuntev.

Përleshje në Shkup gjatë protestave kundër emrit të ri të Maqedonisë

Policia në Shkup hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë një grup demonstruesish që u hodhën të dielën në protestë kundër marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit të republikës ish jugosllave në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Protestuesit që brohoritën “tradhti, tradhti”, e cilësuan “kapitulluese” marrëveshjen me Greqinë. Ata u përleshën në orët e mbrëmjes me policinë përballë ndërtesës së parlamentit.

Protesta gjatë ditës janë mbajtur edhe në qytetin e Manastirit, të organizuara nga partia opozitare VMRO – DPMNE. Udhëheqësi i saj, Hristijan Mickovski, tha se partia e tij asnjëherë nuk do të njohë marrëveshjen.

Greqia dhe Maqedonia, ose Maqedonia e Veriut, siç do të riemërohet së shpejti, e zgjodhën rajonin e Prespës për ta nënshkruar marrëveshjen që u jep fund mosmarrëveshjeve gati tridhjetëvjeçare rreth emrit të republikës ish-jugosllave.

Ceremonia me mjaft eufori, bashkoi veç zyrtarëve më të lartë qeveritarë të Shkupit dhe Athinës, edhe ata të Brukselit; Komisionarët Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, si dhe zyrtarja e lartë e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo e ndërmjetësi Mattheë Nimetz kishin ardhur në fshatin e thellë Psarades të Prespës greke ku u nënshkrua marrëveshja e cilësuar nga shumëkush si historike.

Kryeministrat Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev mbajtën fjalime me tone shpresëdhënëse për të ardhmen e fqinjësisë së dy popujve ballkanikë.

Kryeministri Tsipras shprehu mirënjohje për komisionarët dhe ndërmjetësin e bisedimeve të gjata për përkushtimin e tij.

“Duhen lejuar qytetarët e dy vendeve që ta perceptojnë pa paragjykime marrëveshjen”, tha zoti Tsipras, ndërsa shtoi se marrëveshja ndihmon zhvillimin e infrastrukturës midis dy vendeve dhe ndërtimin e mirëbesimit në përgjithësi në rajon.

“Kemi detyrë historike që ta vazhdojmë këtë rrugë dhe jam optimist se do të kemi sukses. Jam i bindur se dy popujt tanë do të bashkëpunojnë për stabilizimin e rajonit”, theksoi Tsipras, ndërsa bëri thirrje që edhe popujt e tjerë të marrin shembuj nga kjo marrëveshje për të lënë kështu mënjanë të kaluarën e hidhur.

“Fati i popujve dhe shteteve tona është shumetnik, siç është dhe në Evropë. Sfidat janë të shumta, por për kapërcimin e tyre duhet ta zhvillojmë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar për të pasur një rrugë të përbashkët evropiane”, tha Tsipras.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e problemit të emrit dhe për partneritetin strategjik midis dy vendeve tona me të vërtetë kemi lëvizur malet,” u shpreh kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

Ai shtoi se ky akt solemn paraqet kurorëzimin e të gjitha përpjekjeve. Marrëveshja sjell nisma të cilat me siguri, sipas zotit Zaev sjellin një jetë më të mirë për qytetarët e dy vendeve fqinje.

Me Greqinë ndërtojmë miqësi dhe aleancë. Po ndërtohet një realitet i ri në rajon. Marrëveshja ua hapë rrugën lidhjeve më të fuqishme ekonomike, tha kryeministri maqedonas.

Zaev tha se dëshiron t’u dërgojë një mesazh kundërshtarëve të marrëveshjes në të dy vendet, me ç’rast vetëm një herë përdori fjalën maqedonas gjatë fjalimit 15 minutësh: duke thënë se shoqëria në këto dy shtete, ajo maqedonase dhe greke janë pjesë e vlerave të përbashkëta evropiane dhe njësoj e meritojnë paqen, sundimin e së drejtës dhe lirinë, koncept që kundërshton, siç tha, populizmin dhe frikën.

Nga Psaradesi, qeveritarët grekë dhe maqedonas me miqtë e tyre evropianë dhe ndërkombëtarë shkuan për drekë në Oteshevë të Prespës së Maqedonisë.

Por, marrëveshja e re ka hasur në kundërshti të shumta si në Shkup po ashtu edhe në Athinë, tek opozita e dy vendeve, të cilat e quajnë atë të dëmshme për popujt e tyre, ndërkohë që akuzojnë për tradhti qeveritë e vendeve të tyre.

Sidoqoftë, Maqedonia sipas shumë njohësve të rrethanave politike, del fituese duke e ruajtur identitetin dhe gjuhën si maqedonase, ndërkaq Greqia nuk humbet asgjë. Territori brenda saj merr garanci me marrëveshjen se fqinji verior, Maqedonia e Veriut nuk ka pretendime territoriale. Monumentet e ngritura viteve të fundit në Shkup, e që asociojnë në historinë dhe kulturën e lashtë greke nuk do të hiqen por do të cilësohen si monumente të trashëgimisë helene.

Maqedonia (e Veriut) mund të presë shumë shpejt ftesën për anëtarësim në NATO dhe hapjen e bisedimeve për integrim në Bashkimin Evropian, pasi parlamenti në Shkup ta ketë miratuar marrëveshjen me Greqinë./Isak Ramadani

SHQIPTARËT NË MAQEDONI DUHET T’I KTHEHEN KËRKESËS PËR SHTETIN DY KOMBËSH Nga Jusuf BUXHOVI

Marrëveshja midis Greqisë dhe Maqedonas për emërtimin e shtetit “Maqedonia e Veriut” nga shqiptarët duhet të kushtëzohet me kërkesën për definimin e Maqedonisë shtet dy kombesh, pra të shqiptarëve dhe të maqedonasve. Pajtimi pa reagim do t’i ngarkonte me një qendrim antihistorik dhe antikombëtar
Marrëveshja e midis Greqisë dhe Maqedonisë për emërtimin e ri të shtetit nga ai i deritanishmi në “Maqedonia e Veriut”, ndonëse hoqi “frikën” e përligjjes së karakterit sllavo-maqedonas të shtetit që do ta kishte atributin “Maqedonia e Ilindenit”, megjithatë, edhe me këtë marrëveshje, me gjuhën zyrtare maqedone, simbolet dhe të tjerat, shteti ruan karakterin sllavo-maqedonas, ndërsa shqiptarët përfundimisht degradohen në pozitën e pakicës, paçka se me kozmetikën e Marrëveshjeve të Ohrit rreth gjuhës shqipe në përdorim zyrtar në vend të gjuhës zyrtare si dhe përfaqësimit në institucione, do të përpiqen që këtë ta shpjegojnë si gjendje “të barazisë”.
Pa hyrë në ato që kanë ndodhur gjatë dhjetë viteve të fundit si dhe mashtrimet që klasa politike shqiptare në pushtet me oreolin “e luftës” është munduar që opinionit t’ia shesë për “suksese”, pa përjashtuar këtu as luftën në vitin 2001, që nuk solli tjetër pos ndërrimin e një garniture në pushtet me tjetrën, megjithatë, gjendja e re kërkon që shqiptarët inferioritetin dhe vasalitetin e deritanishëm politik në ndaj maqedonasve ta kthejnë në një deponim politik, në mënyrë që. më në fund, të dëshmojnë subjektivitetin e tyre si etni historike dhe politike, që duhet ta thotë fjalën kryesore për shtetin e tyre, në vend se të hesht dhe të nëpërkëmbën.
Meqë, me marrëveshjen e tanishme midis Athinës dhe Shkupit, është paraparë që ndryshimet të kalojnë nëpër parlament dhe në referendum, shqiptarët duhet këtë ta shfrytëzojnë që emërtimi i Maqedonisë doemos të kushtëzohet me kërkesën për definimin e Maqedonisë shtet i dy kombeve të barabarta: shqiptarëve dhe maqedonasve, gjegjësisht maqedonasve dhe shqiptarëve. Tek e fundit, ky qëndrim është në përputhje me atë të UÇK-së të shkurtit të vitit 2001, ndonëse prej tij do të hiqet dorë me kumtesën 6 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kur, pa një pa dy, do të kërkohet Maqedoni “demokratike e qytetarëve të barabartë”!
Rikthimi i kësaj kërkese, pra i karakterit të shtetit të Maqedonisë mbi parimin e dy kombeve të barabarta: shqiptar -maqedonas, gjegjësisht maqedonas-shqiptar, duhet të ndjek një rrugë legjitime, që do të thotë se nënkupton mbajtjen e një Kuvendi të Përgjithshëm Kombëtar, që do të thirrej nga një Këshill Nismëtar, ku do të merrnin pjesë deputetët shqiptarë në Parlamentin e Maqedonisë, përfaqësuesit e të gjitha partive politike të përfaqësuara në strukturat parlamentare dhe ato shtetërore, pastaj do të merrnin pjesë përfaqësuesit e institucioneve arsimore (universiteteve), ato shkencore (të instituteve) si dhe përfaqësuesit e besimeve (religjionit).
Kuvendi Kombëtar do të duhej të aprovonte vendimin për ridefinimin e Maqedonisë shtet të të dy kombeve të barabarta (shqiptar-maqedonas, gjegjësisht maqedonas–shqiptar) në përputhje me aprovimin e një Platforme Politike, në të cilën parashihet një Marrëveshje e re e të dy popujve për shtetin e përbashkët (Maqedoninë), e cila duhet të përcillet edhe me ndryshimet e duhura kushtetuese (preambula) dhe aktet tjera, ku parashihet edhe organizimi i strukturave të pushtetit mbi këto parime në të gjitha nivelet.
Këto qëndrime duhet t’i paraqiten faktorit ndërkombëtar, të arsyetuara nga aspekti historik, ai etnik, e mbi të gjitha nga ai shoqëror dhe politik, me ç’rast duhet të theksohet se ky është një kompromis i domosdoshëm që garanton shtetin e përbashkët me përkatësi perëndimore dhe frymë evropiane. Ndërsa, nga Shqipëria dhe Kosova, duhet të kërkohet mbështetje e plotë, në mënyrë që të mos shfaqen shpërputhjet si deri më tani, kur Tirana zyrtare vazhdimisht ka përkrahur qëndrimet e Shkupit (maqedonasve), ndërsa Prishtina ia ka mbajtur ison.
Platforma që do të aprovohej nga Kuvendi Kombëtar duhet t’i paraqitet Kuvendit të Maqedonisë dhe të mbrohet nga spektri i gjithëmbarshëm politik shqiptar në Kuvend dhe qeveri. Nëse do të refuzohej, atëherë, mbet që shqiptarët, të mos pajtohen të japin pëlqimin për këtë ndryshim dhe njëherësh t’u kthehen formave të tjera, kryesisht demokratike në përputhje me rrethanat, me të cilat Maqedonia do të vihej para sprovës ekzistenciale nga shkaku i injorimit të të drejtës së gjysmës popullatës që shteti i përbashkët të pasqyrojë edhe identitetin e tyre historik dhe etnik me rrënjët e thella nga antikiteti e deri te koha jonë.
Deponimi i faktorit politik shqiptar për ridefinimin e Maqedonisë në përputhje me të drejtën e tyre historike dhe jetësore në rrethanat e tanishme, kur është më se e qartë se Serbia, Bullgaria dhe Rusia, me demonstratat sllavo-maqedonase kundër këtij emërtimi, do të krijojnë rrethana për dështimin e tij, po edhe për kthimin e një gjendje krize në vend në mënyrë që të destabilizohet rajoni në përputhje me interesat e tyre, ka rëndësi të madhe, ngaqë çarqeve të jashtme antishqiptare po edhe miqve perëndimore (SHBA-ve dhe NATO-s të interesuara që me anën e kompromisit të emrit Maqedonia të përfshihet në NATO), u jepet një atu e fortë që atë ta mbajnë në jetë vetëm me vullnetin e shqiptarëve.
Ndonëse rikthimi i kërkesës për redifinimin e Maqedonisë shtet dy-kombesh, mund të mos pranohet nga klasa e tanishme politike shqiptare në pushtet, e cila u ka shërbyer interesave të politikës maqedonase, me arsyetimet se “nuk dëshirohet destabilizimi i Maqedonisë” nga shqiptarët, ngaqë kjo “u shkon për shtati interesave ruse në Ballkan” e të ngjashme, megjithatë, Këshilli Kombëtar nuk duhet të heq dorë prej saj. Duhet të gjenden format, që si nismë qytetare ose ndryshe t’i paraqitet Kuvendit të Maqedonisë dhe faktorit ndërkombëtarë. Kjo do të kishte rëndësi të madhe, ngaqë, pavarësisht sjelljes së papërgjegjshme të faktorit politik shqiptar shumanshëm të shantazhaur, shqiptarët nuk do të nënshkruanin kapitullimin para një çështje jetike për ardhmërinë e tyre.

Protesta të dhunshme në Shkup kundër ndryshimit të emrit

Protesta kundër marrëveshjes për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë u përshkallëzua të dielën mbrëma në dhunë mes policisë dhe një grupi të protestuesve, të cilët tentuan të thyejnë kordonin policor para Kuvendit të Maqedonisë.

Forcat e ndërhyrjes së shpejtë përdorën gazin lotsjellës dhe bomba paralizuese për t’i shpërndarë demonstruesit.

Nuk ka informacione për të plagosur, ndërkohë që objekti i Kuvendit është blinduar nga forca të shumta policore.

Protestuesit, në numër të vogël, gjatë tërë ditës kanë qëndruar para Kuvendit, ku kanë mbajtur të bllokuar rrugën, në shenjë pakënaqësie ndaj marrëveshjes së arritur.

Ata e kanë cilësuar atë si “kapitulluese për popullin maqedonas”.

Me marrëveshjen e nënshkruar të dielën midis ministrave të Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Maqedonia do të njihet si “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Protesta u rrit në numër rreth orës 21:00 kur dhe kaloi në dhunë me policinë.

Gjatë ditës, në qytetin e Manastirit është mbajtur edhe një tjetër protestë nga partia e opozitës, VMRO DPMNE.

Lideri I kësaj partie, Hristijan Mickovski, ka kritikuar ashpër kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, duke e quajtur “tradhtar të interesave kombëtare maqedonase”.

Ai ka thënë se partia që ai përfaqëson asnjëherë nuk do të njohq marrëveshjen e arritur në Prespë të Greqisë, duke paralajmëruar kështu bllokim në Kuvend, ku për ndryshimet kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave, por edhe gjatë referendumit që parashihet të mbahet në vjeshtë.

Protesta janë paralajmëruar edhe për ditët në vazhdim.

Zaev: Me paga të larta do të parandalojmë braktisjen e mjekëve nga vendi

SHKUP – Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të bëjë ç’mos për të mbajtur mjekët e rinjë në vend, respektivisht, të parandalojë braktisjen e vendit nga kuadri mjekësor, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në panelin “Investojmë në mjekë të rinj, e ardhmja e Shëndetësisë së Maqedonisë”.

Kryeministri Zaev, tha se fatkeqësisht, në të kaluarën Maqedonia ka humbur shumë mjekë të talentuar dhe të arsimuar të cilët në kërkim të kushteve më të mira të punës, janë shpërngulur në vende të ndryshme të Evropës dhe botës. Ai tha se kjo praktikë duhet ndaluar, ndërsa mjekëve të rinjë, dhe atyre të ardhëshëm të pranishëm në panel diskutimin, u tha se vendi ka nevojë për praninë e tyre këtu.

Qeveria e Maqedonisë, tha Zaev, ka miratuar një propozim-program për vitin 2019, dhe i njëjti ka të bëjë me edukimin e mjekëve dhe personelit mjekësor dhe për bashkëfinancim të specializantëve, të subspecializantëve dhe punonjësve shëndetësor në ordinancat private.

“Si rrjedhojë e zbatimit të këtij programi, pacientët do të marrin shërbime mjekësore me standarde të larta, mjekët e rinj do të përsosin njohuritë e tyre, me çka diagnostifikimi i sëmundjeve do të bëhet në kohë. Për këtë, kemi paraparë mjete të mjaftueshme financiare nga buxheti i vitit 2019. Në mënyrë shtesë, në programin e punës së qeverisë 2017-2020, me një sërë masash garantojmë se do të kemi një sistem të qëndrueshëm për mbrojtje shëndetësore, të arritshëm, cilësor dhe afatgjatë”, tha Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë, premtoi edhe rritjen e pagave, për motivim shtesë në punë, për të shtuar se deri në vitin 2020, pagat e mjekëve specialistë do të rriten shkallë shkallë, për të arritur në 100.000 denarë, ose 1600 euro.

“Me paga më të larta dhe me kushte më të mira për specializim dhe mësim praktik do të krijojmë atmosferë që të mos dëshironi ta braktisni vendin dhe të mbeteni në Maqedoni. Kjo është një dëshirë e jona, shpresoj të jetë edhe e juaja”, tha Zaev, sipas të cilit vetëm në Shkup, ka mungesë prej 100 mjekësh, ndërsa në tërë territorin e Maqedonisë, ky numër është të paktën trefishi më i lartë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Flipçe, nga ana e tij tha së mbajtja e kuadrit mjekësor po bëhet fillimisht përmes rritjes së pagave, rritjes së pagesës për kujdestaritë, punës së natës dhe jashtë orarit të punës dhe rritjes së kuotave për specializim shtetëror.

“Numri i specializantëve do të caktohet në bazë të vlerësimeve në terren, konkursi për të cilin do të shpallet në shtator. Me paga më të larta dhe përmirësimin e kushteve të punës, synojmë një atmosferë në të cilën mjekët dhe kuadri tjetër mjekësor do të motivohen të qëndrojnë në shtëpi”, tha Filipçe.

Pas fjalimeve hyrëse, vijoi debati ku mjekët e rinjë dhe specializantët kishin mundësi të bashkëbisedojnë me kryeministrin Zaev, ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipce, deputeten në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, Meri Lazarova, kryetarin e Klubit të Mjekëve të Rinj, Nikola Brzanov dhe kryetaren e Shoqatës së mjekëve specializantë, Biljana Dodeva, për të gjitha shqetësimet që prekin angazhimin e tyre profesional. aa

Ligji për gjuhën shqipe pret zgjedhjet e reja presidenciale?

Isuf Kadriu

Ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnive vazhdon të zvarritet për shkak të refuzimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov për ta dekretuar zgjidhjen e miratuar nga shumica parlamentare, më 14 mars.

Bazuar në qëndrimin e fortë të presidentit, nuk përjashtohet mundësia që ligji të mos dekretohet deri në fund të mandatit të tij, vitin e ardhshëm. Ndërsa, një gjë të tillë nuk e kanë përjashtuar edhe partitë në pushtet, të cilat thonë se nuk po gjejnë mekanizëm juridik për fuqizimin e ligjit, me të cilët avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha institucionet e nivelit qendror, përskaj atyre në nivel lokal ku shqipja përdorej me zgjidhjen e deritanishme ligjore.

Vendimi mund të fuqizohet, apo të shpallet në gazetën zyrtare vetëm nëse nënshkruhet nga kreu i shtetit dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, por ky i fundi ka përjashtuar mundësinë që të vë firmën e tij pa atë të presidentit, për shkak se një veprim i tillë paraqet shkelje ligjore apo se edhe vetë institucioni “Gazeta Zyrtare” nuk do ta publikonte.

Ekspertët thonë se partitë sikur nuk janë shumë të përkushtuar për të gjetur zgjidhjen, me qëllim lënien e rastit deri në zgjedhjet e reja presidenciale.

“Derisa vetë kryeparlamentari tha se pret hapësirë politike për të vepruar, del se është e vërtetë se ligji do të mbetet për më vonë. Por, kjo në aspektin ligjor është e padrejtë pasi nuk ka asnjë pengesë për zvarritjen e tij, pasi që nga momenti që është miratuar ai duhet të dekretohet”, thotë Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike.

Edhe Vllado Dimovski, njohës i çështjeve ndëretnike, thotë se partitë duhet të gjejnë mënyra për të mbyllur këtë çështje që të mos mbetet pas zgjedhjeve presidenciale.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve vlerësoj se deri tani duhej të mbyllej pasi ishte ngritur shumë pluhur deri në miratimin e tij, madje kishte edhe reagime, protesta e pakënaqësi të shumta. Mendoj se janë harxhuar të gjitha mekanizmat dhe ligjit duhet të hyjë në fuqi. Por, si duket partitë mendojnë ndryshe, apo sikur kjo u konvenon që këtë çështje të djeshme sërish ta shfrytëzojnë për pikë politike në zgjedhjet e ardhshme presidenciale”, thotë Dimovski duke shtuar se çështja e gjuhës është e ndjeshme dhe nuk duhet të keqpërdoret nga partitë për qëllime politike.

“Mendoj se kjo çështje duhet të mbyllet që të mos lihet e pazgjidhur për t’u keqpërdorur në zgjedhjet e ardhshme, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën me çështjet që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike. Marrëdhëniet ndëretnike në vend ende janë të brishta dhe shumë pak nevojitet që ato të marrin përmasa të paparashikuara, andaj duhet të kenë kujdes që të mos luhet me gjëra të ndjeshme. Pra, vlerësoj se çështja e gjuhës nuk duhet të keqpërdoret nga partitë për pikë politike”, thotë Dimovski.

Nga ana tjetër, Bashkim Selmani thotë se përdorimi i gjuhës shqipe është i garantuar dhe se partitë sipas tij këtë çështje e kanë keqpërdorur vite me radhë për qëllime politike.

“Është dëm shumë i madh pasi humbet e drejta jetike, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Mendoj se pak kanë rëndësi format e abuzimit në aspektin juridik apo sa partitë tentojnë të përfitojnë. Por, këtu kemi një situatë kur e drejta natyrore cungohet dhe ky është dëshpërimi më i madh te qytetarët. Me këtë edhe partitë shqiptare kanë humbur, pasi kanë rrënuar imazhin e tyre, qoftë pozita apo opozita, pasi kanë nënshkruar një kapitullim total, moral, politik, juridik e kështu me radhë”, thotë Selmani.

Përveç presidentit, Ligji për gjuhët kundërshtohet edhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare e cila kishte organizuar edhe protesta me arsyetimin se zgjidhja e miratuar rrënon karakterin unitar të shtetit, ku sipas kësaj partitë, gjuhë zyrtare në shtet është vetëm se maqedonishtja. Por, partitë shqiptare kanë thënë se qëndrimi i opozitës maqedonase, përkundër ndryshimeve në kreun e saj, po dëshmon se kur janë në pyetje shqiptarët nuk dallon nga udhëheqësia e kaluar.

Osmani rreth çështjes së emrit: Orët e ardhshme kyçe për vendosjen e epilogut të negociatave

SHKUP – Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani, në prezantimin e Planit 18 reformues të Qeverisë, në lidhje me mosmarrëveshjen rreth emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë deklaroi se “Maqedonia ndodhet në metrat e fundit të një maratone 25-vjeçare”.

“Orët e ardhshme do të jenë kyçe për vendosjen e epilogut të këtyre negociatave. Unë mendoj se është shumë herët për të thënë se cili do të jetë epilogu, mirëpo mendoj se janë metrat e fundit të një maratone 25-vjeçare, ndërsa zakonisht metrat e fundit janë më kritike, të cilat mund të vërtetojnë epilogun në një drejtim pozitiv apo negativ”, u përgjigj Osmani në pyetjen e gazetarëve.

Osmani shtoi se ekziston vullnet dhe angazhim aktiv nga të dyja anët, ndërsa në ndërkohë edhe inkurajim, ndihmë dhe përpjekje nga miqtë ndërkombëtarë për të lehtësuar mosmarrëveshjen midis dy vendeve.

“Ndjenja ime është se dallimet më shumë janë në interpretimin e të shkruarës se sa në parimet e përgjithshme, të cilat i shprehin palët në bisedime”, tha zv/kryeministri i Qeverisë.

Osmani Planin 18 e prezantoi para sektorit civil dhe mediave në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane. Ai tha se fokusi i këtij plani reformues do të jetë në shtyllat kryesore, të tilla si gjyqësori, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, administratën publike si dhe në shërbimet e sigurisë.

Siç njoftoi ai, ky plan i ri qeveritar do të lansohet këtë javë dhe do të mbulojë periudhën nga përfundimi i Planit 3-6-9 deri në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian, përkatësisht siç tha ai, deri në fillimin e negociatave dhe hapjen e kapitullit të parë.

Plani 18 reformues vijon pas Planit 3-6-9, i cili është miratuar në muajin korrik të vitit të kaluar, bazuar në programin e Qeverisë së Maqedonisë, në Marrëveshjen e Përzhinës, Raportin e Pribes, Komisionin e Venecias, Komisionin e Grekos si dhe në rekomandimet e OSBE-ODIHR-së. aa

A do të bëhet Maqedonia vend satelit i Rusisë?

Maqedonia është shndërruar gjithnjë e më shumë në destinacionin e strategëve politikë të Kremlinit, ideologëve që mbështesin veçantinë e Rusisë, apo misionin ortodoks të Moskës në botën sllave dhe në Euroazi.

Lektorët dhe instruktorët që marrin pjesë në mësimdhënie dhe trajnime në Maqedoni janë të njëjtët që Kremlini angazhoi gjatë luftës hibride përpara aneksimit të Krimesë dhe më tej gjatë destabilizimit të pjesës lindore të Ukrainës, si dhe gjatë përpjekjes për grusht shteti në Malin e Zi.

Ashtu si në Ukrainë, strategët rusë të luftës informative identifikojnë pikat kryesore të dobëta të vendit që vendosin në objektiv, për t’i përdorur në favor të interesave të Moskës. Në Maqedoni, strategët e Kremlinit nënvizojnë në shkrimet e tyre problemet ekzistuese etnike dhe politike me shqiptarët e Maqedonisë, si dhe çështjet që ndërlidhen me aspiratat e Maqedonisë për integrimin në NATO dhe në BE.

Sipas shërbimit maqedonas të Zërit të Amerikës, strategu kryesor i luftës informative të Rusisë në Maqedoni është Leonid Savin, i cili në muajin maj ofroi trajnim për 50 anëtarë të grupimit politik të së djathtës së skajshme, Partisë për Maqedoninë e Bashkuar, e cila kundërshton ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe e percepton kursin e vendit drejt NATO-s dhe BE-së, si fundin e shtetformimit dhe pavarësisë së Maqedonisë.

Leonid Savin, sipas vetë biografisë së tij, është “Komisar i Bashkimit të Rinisë Euroaziatike”, një degëzim i grupit ultra-nacionalist Bashkimi Euroaziatik, i krijuar nga Alexander Dugin dhe bashkëudhëtarët e tij ideologjikë.

“Platforma” e Bashkimit të Rinisë Euroaziatike përfshin seksione të tilla, si:

  • “Qëllimi juaj”
  • “Ti je një burrë”
  • “Ti je një grua”
  • “Displina jonë”
  • “Besimi ynë”

Ekziston edhe seksioni “Armiku ynë”, i cili i kushtohet tërësisht Shteteve të Bashkuara. Paragrafi i fundit i këtij seksioni konkludon se: “Bashkimi ynë ka një armik absolut. Është SHBA-ja. Është alfa dhe omega e urrejtjes sonë”.

Krahas bashkërendimit me Alexander Dugin, edhe lidhjet e tjera të zotit Savin e identifikojnë atë si një personazh kryesor në politikën ekspansioniste të Kremlinit.

Savin paraqitet si kryeredaktor i dy agjensive: “Katehon” dhe “Geopolitica”, si dhe bashkëpunëtor i rregullt i Fondit Strategjik të Kulturës, të mbështetur nga shteti.

“Katehon” është një faqe interneti e themeluar nga Konstantin Malofeev, një multi-milioner rus, ndaj të cilit SHBA-ja ka vendosur sanksione për shkak të mbështetjes logjistike, financiare, ideologjike dhe materiale ndaj operacioneve të Rusisë në Krime dhe në Ukrainën lindore.

Megjithatë, Ukraina është vetëm një pjesë e vogël e interesave gjeopolitike të zotit Malofeev.

Një investigim i vitit 2015 i gazetës gjermane “Die Zeit” zbuloi lidhjet që Malofeev dhe Dugin mbanin me figurat kryesore politike të Greqisë, duke u siguruar kështu lidhje të mëtejshme me Vladimir Putinin.

Malofeev dhe Dugin & Co., u shfaqën të përfshirë në përpjekjen për grusht shteti në Malin e Zi në vitin 2016, si dhe në disa operacione të tjera të errëta të Rusisë në Ballkan.

Shkup: VMRO-DPMNE në protestë kundër ndryshimit të emrit të vendit

Isak Ramadani – Disa mijë përkrahës të opozitës maqedonase protesuan të shtunën në mbrëmje para ndërtesës së qeverisë duke kundërshtuar mundësinë e ndryshimit të emrit të Maqedonisë.

Në protestën e organizuar nga VMRO-DPMNE mbaheshin pankarta ku shkruhej “Maqedonia do të fitojë”.

Kryetari i VMRO-së, Kristijan Mickovski bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare që do të mbaheshin së bashku me ato presidenciale vitin e ardhshëm.

Ai tha se kryeministri Zoran Zaev “po i bën një dëm të papërmirësueshëm vendit, ndërsa VMRO-DPMNE është kundër çdo ndryshimi të kushtetutës që synon ndryshimin e emrit tonë”.

“Historia, – vazhdoi Mickovski, – do të gjykojë se kush ka të drejtë“.

Ai bëri dhe premtime për një TVSH më të ulët, ulje të taksave për kompanitë e vendit dhe të huaja e investime në sistemin shëndetësor.

Përmes një video-lidhjeje protestuesve iu drejtua edhe kryeministri hungarez Viktor Orban, duke shprehur mbështetje për VMRO-DPMNE-në dhe simpatizuesit e saj.

Para se të fillonte tubimi, kryeministri Zaev u tha gazetarëve se do t’i dëgjonte me kujdes kërkesat e protestuesve. Ai, ndërkaq pritet të flasë me telefon me kolegun e tij grek Alexis Tsipras për t’u sqaruar në lidhje me marrëveshjen kornizë për çështjen e emrit.

Media në Athinë spekulon se bëhet fjalë për referencën “Republika e Maqedonisë Veriore” si emri i ri i mundshëm për republikën ish-jugosllave, por autoritetet qeveritare në Shkup nuk kanë komentuar në lidhje me këtë.

Greqia ka bërë të ditur se kërkon një përdorim të përgjithshëm, “erga omnes” siç e quan Athina, për emrin e ri të fqinjit të saj verior dhe ndryshime të kushtetutës, po ashtu.

Autoritetet në Shkup kanë rënë dakord me këto kërkesa, por marrëveshjen eventuale do ta nxjerrin në referendum popullor në shtator ose tetor, siç ka paralajmëruar kryeministri maqedonas, Zaev.

Problemi i emrit e ka mbajtur të bllokuar vendin e vogël ballkanik në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Nga ana tjetër, të dy palët nuk kanë qenë asnjëherë më afër zgjidhjes së problemit më se dy dekadësh.

Maqedoni: Riformatohet kabineti qeveritar

Isak Ramadani – Katër vende ministrash dhe po aq zëvendës-ministra ndryshojnë në kabinetin e tij. Koalicioni qeveritar zgjerohet me njërin krah të Lëvizjes “Besa”, me Partinë Demokratike Shqiptare dhe Lidhjen e Romëve.

Asaf Ademi i Lëvizjes Besa, krahu i Shkupit, siç njihet në opinionin publik, do ta drejtojë ministrinë e Kulturës; ai mori mbështetjen e 66 deputetëve, ndërsa 23 votuan kundër. Bardhyl Dauti i PDSH-së është ministër i ri, pa portofol. Atë e votuan 65 ligjvënës. 25 ishin kundër tij dhe 1 abstenim.

Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lidhja Social Demokrate shkëmbejnë postet e ministrave të Drejtësisë dhe të Arsimit. Renata Deskoska e LDSM-së nga Arsimi e merr në drejtim ministrinë e Drejtësisë prej nga është larguar para pak muajsh Bilen Saliji (BDI), ndërsa Arbër Ademi i BDI-së nga zëvendës-ministër bëhet ministër i Arsimit dhe Shkencës. Pro Deskoskës votuan 67 ligjvënës kurse 23 kundër. Ademin e votuan 67, ndërsa 25 kundër.

Kryeministri Zaev gjatë ekspozesë në parlament, duke folur për nevojën e ndryshimeve në kabinet, tha se “krizën e thellë politike po e lëmë pas vetes duke hapur procese serioze reformash për ta kthyer besimin tek institucionet dhe ambienti demokratik”. Ai shtoi se vendi nga izolimi me tensione të mëdha politike arriti tek pragu i anëtarësimit të vërtetë në NATO dhe tek një datë e pritshme për bisedime me Bashkimin Evropian.

Zoti Zaev vlerëson se ministrat e rinj kanë kapacitetin e duhur për ta kryer detyrën e tyre me sukses.

Por, opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE kërkoi dorëheqjen e vetë kryeministrit sepse, sipas saj, po e çon vendin drejt greminës dhe po “shet interesat shtetërorë të Maqedonisë”.

Ata cituan Zaevin të jetë shprehur para shumë muajsh se “në kabinetin e tij ka ministra të cilët nuk dinë të punojnë, të tjerë që nuk duan dhe të tretë që nuk dinë, por duan të mësojnë” dhe së këndejmi ligjvënësit e VMRO-së kërkuan llogari dhe përgjigje nga kryeministri maqedonas se kush janë këta ministra dhe pse vazhdon t’i mbajë në kabinetin e tij qeveritar. VMRO-ja e quan këtë si “riformatim pazaresh”, pa përmbajte dhe mesazhe politike.

Ndërkohë, zëvendës-ministra të rinj në qeverinë e kryeministrit Zaev janë Andrej Zhernovski për punë të jashtme, Asim Musa -Shëndetësi, Gjonul Bajraktar, politikë sociale dhe Sadik Beqiri i Transportit.

Zoran Zaev e bëri riformatimin pikërisht në njëvjetorin e marrjes së detyrës së kryeministrit.

Koalicioni i shumicës u zgjerua për gjashtë deputetë, por ende larg numrit të nevojshëm për një shumicë të kualifikuar, përkatësisht 2/3 në parlament të nevojshme sidomos për ndryshime kushtetuese dhe për një sërë reformash të tjera.

‘Skopje East Gate’ investimi më i madh i një biznesi shqiptar në Maqedoni

Një investim me vlerë rreth 350 milionë euro, 10 blloqe me komplekse rezidenciale dhe 5 blloqe ndërtesash për qëllime biznesi, një qendër tregtare me mbi 250 dyqane me markat më të njohura botërore dhe mbi 2.000 vende të reja pune, ky është projekti Skopje East Gate (SEG), të cilin Grupi Balfin e prezantoi dje në Maqedoni si vizionin e tij për një simbol të Shkupit të ri dhe modern.

Grupi Balfin që ka ideuar dhe realizuar historinë e suksesit në Maqedoni me Neptun – rrjeti më i madh i pajisjeve elektro-shtëpiake në vend – dhe me Skopje City Mall (qendrën më të madhe tregtare) paraqiti konceptin e Skopje East Gate që do të jetë i pari i llojit të tij në rajon dhe që do të bashkojë konceptin e shopping, të jetuarit dhe të bërit biznes në një të vetëm.

“Skopje East Gate (SEG) është investimi i përveçëm privat më i madh në Maqedoni që do të krijojë mundësi të mëdha biznesi, do të garantojë një punësim të shkëlqyer, do të forcojë tregtinë, do të tërheqë firmat botërore si dhe do të ofrojë një qasje të re të jetesës në qytet.” – tha Samir Mane, presidenti i Grupit Balfin i pranishëm në këtë event.

Për realizimin e këtij projekti, Grupi Balfin do të investojë rreth 350 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e investimit do të garantohet përmes financimit të institucioneve financiare lokale dhe ndërkombëtare.

“Skopje East Gate është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për Shkupin, por për të gjithë vendin” – tha kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili me praninë e tij në event dëshmoi rëndësinë strategjike që ka për Maqedoninë një investim i tillë.

Skopje East Gate planifikohet të ndërtohet në një hapësirë prej 143.000 metrash katrorë, në të cilën do të ngrihen 458.000 metra katror ndërtim.

E ndodhur vetëm dy kilometra nga qendra e qytetit dhe pranë arterieve kryesore rrugore, projekti do të përfshijë një qendër tregtare, segmentin për apartamente banimi si dhe një park zyrash të klasit të lartë. Pritet që e gjithë kjo të sjellë një impuls të mëtejshëm për aktivitetin ekonomik në Shkup, që është në fuqizim e sipër.

Punimet do të jenë të ndara në tre faza dhe i gjithë projekti pritet që të përfundojë brenda një periudhe që shkon nga pesë deri në shtatë vjet.

Faza e parë parashikon ndërtimin e qendrës tregtare dhe të 4 godinave rezidenciale. Qendra tregtare do të ketë një hapësirë prej 51.000 metrash katrorë. Ajo do të jetë më e madhja në rajonin ndërmjet Maqedonisë, Kosovës dhe Serbisë së jugut dhe përveç një numri të madh markash të njohura botërisht, do të përfshijë edhe një gamë të gjerë mudësishë për t’u zbavitur, do të ketë qendra fitness-i si dhe hapësira parkimi për mbi 2.000 automjete.

Zona rezidenciale do të ketë 1.600 banesa, si dhe parqe, zona dëfrimi, dy amfiteatre, dhe një hapësirë të gjelbër.

Në fazën e dytë do të përfundohen edhe 6 godinat e tjera të banimit.

Ndërsa në fazën e tretë dhe të fundit do të realizohet ndërtimi i 5 blloqeve të godinave për qëllime biznesi në një hapësirë totale prej 67.000 metrash katrorë. Bëhet fjalë për parkun e parë të zyrave të “Klasit A” në Maqedoni.

Sipas parashikimeve, pritet që Skopje East Gate të vizitohet nga rreth 12 milionë njerëz në vit.

Projekti u zhvillua nga një prej studiove më të mëdha të arkitekturës në Turqi, “Yazgan Design Architecture Inc.”, që ka fituar një sërë çmimesh si “LEAF”, Çmimin Evropian dhe Ndërkombëtar për Pronat për projekte si Ura Urbane “Hamamyolu” në Eskisehir, “YDA Center” në Ankara dhe “Volkswagen Arena” në Stamboll.

Grupi Balfin është një ndër grupet private më të mëdha investuese në rajon, portofoli i të cilit përfshin investime në qendrat tregtare, zhvillimet e zonave rezidenciale dhe tregtare si dhe aktivitetet e shitjeve me pakicë me rrjetin e dyqaneve Neptun, Jumbo, apo veprimtaritë në sektorin e turizmit dhe në industrinë e fashion-it, etj.

Shqiptarët dhe maqedonasit ende kanë marrëdhënie të brishta

Shqiptarët dhe maqedonasit ende i kanë marrëdhëniet e brishta mes vete dhe për këtë gjë fajtor më i madh janë politikanët të cilët e nxehin gjakun e të dy palëve, sidomos gjatë fushatës politike.

Kjo është konkluza e rrjetit “E kaluar e ndarë, ardhmëri e përbashkët” bazuar në disa ankesa të realizuara në fokus grupe. Sipas kësaj analize, Marrëveshja e Ohrit pas vitit 2001nuk e ka dhënë rezultatin e paqes, dhe kjo duket me polarizimin e vazhdueshëm gjatë viteve.

Sasho Dodovki, moderator :

“Një numër i madh i qytetarëve të anketuar problemin e shohin tek institucionet dhe politika. Tek liderët politikë dhe retorika e tyre parazgjedhore, dhe në joprofesionalizmin e institucioneve. Por duhet theksuar se flasin edhe për sundimin e së drejtës që thonë se duhet të vlejë në mënyrë të barabartë për të gjithë. Kur vjen koha e fushatave, mënyra më e lehtë që të mobilizioni votues është nëpërmjet retorikës nacionaliste pasi njerëzi më së lehti bien në këtë. Por pas zgjedhjeve duket se kjo retorikë ngadalë shuhet shkaku i koalicioneve”

Dodovski thotë se gjatë gjithë viteve kur ka patur krizë politike, shoqëria ka qenë edhe më e brishtë dhe më e ndarë etnikisht dhe se Marrëveshja e Ohrit nuk e ka arritur qëllimin e saj.  E dallon vetëm procesin e Revolucionit të Larmë kur bashkësi të ndryshme etnike kanë protestuar së bashku kundër pushtetit të atëhershëm.

Sipas Toshe Zafirovskit nga Instituti Progres,politikanët duhet ta ruajnë gjuhën dhe të ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike por apeloi edhe deri tek mediumet që të mos transmetojnë lajme me natyrë ndarëse dhe urrejtjeje.

Toshe Zafirovski, Instituti Progres

“Ka shumë mënyra dhe hapësirë për të përmirësuar marrëdhëniet ndëretnike. Mendoj se edhe në projektet e ardhshme por edhe në vazhdimin e këtij projekti do të jepet kontribut në tejkalimin e këtij problemi. Por institucionet shtetërore dhe individualisht çdo qytetarë duhet të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, përfshirë këtu edhe marrëdhëniet mes dy etnive më të mëdha në shtet…Shkaqet janë të natyrës së ndryshme. Edhe shkaku i politikanëve të pa arsyeshëm por edhe shkaku i personave vendimmarrës të pandërgjegjshëm”

Të anketuarit nga rrjeti “E kaluar e ndarë, e ardhme e përbashkët”kanë treguar forma të ndryshme në shoqëri ku duket ndarja dhe polarizimi mes dy etnive më të mëdha në shtet. Sipas anketës, ndarje ka në punësime, në biseda,  në vendbanime, parti politike e të tjerë, por se pa marrë përgjegjësi individuale çdo qytetarë, kjo situatë nuk mund të tejkalohet pasi politikës i shkon në favor një gjendje e tillë e cila pastaj liron terrenin për manipulime më të lehta. Anketuesit kanë propozuar përmirësimin e modelit të shkollimit dhe investimin në lëndë dhe biseda për bashkëjetesën dhe gjërat e përbashkëta,  por edhe në zhvillimin ekonomik, pasi kanë thënë se vetëm kështu ata nuk do të ishin të brishtë ndaj retorikave nacionaliste./SHENJA/

Sipas Georgievskit, Maqedonia perëndimore duhet të jetë pjesë e Shqipërisë

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Lubço Georgievski duket se po shfaqet me deklarata dhe intervista gjithmonë në kohën kur vendi kalon në faza shumë të vështira politike dhe gjeostrategjike.

Në një intervistë të fundit dhënë për gjermanen “Huffingtonpost”, ai ka dhënë deklarata intriguese, që po zgjojnë shumë pluhur në opinionin maqedonas e njëkohësisht po sulmohet me të madhe, pasi ka thënë se dëshiron ndryshime të kufijve të Maqedonisë. Ai thotë se “Maqedonia perëndimore duhet të jetë pjesë e Shqipërisë së Madhe”.

Më tej, ai parashikon se në Maqedoni “do të ndodhë një marsh i vdekjes”, ndërsa për momentin vendi donimohet me mbi 30% të popullatës së fesë myslimane, e në të ardhmen Maqedonia mund të bëhet vend mysliman./zhurnal/

Ali Ahmeti: BDI është kontribuuese në arritjen kompromisit për emrin e shtetit

SHKUP – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, deklaron se BDI mbështet mbylljen e menjëhershme të çështjes dhe është kontribuese në arritjen e kompromisit të pranueshëm nga të dyja palët.

 

Në një takim me u.d. zëvendësndihmës i sekretarit amerikan të shtetit, Met Palmer, Ahmeti ka diskutuar rreth negociatave mes Shkupit dhe Athinës, si dhe mundësitë për mbylljen e kontestit me emrin, në mënyrë që të zhbllokohen dyert e NATO-s dhe BE-së për Maqedoninë.

 

“Kompromisi i menjëhershëm na mundëson marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe marrjen e datës për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Pikërisht integrimi euroatlantik i Maqedonisë është prioriteti ynë sepse garantohet paqja, stabiliteti dhe siguria, por edhe hapen perspektiva të reja dhe konkrete ekonomike”,- ka thënë Ahmeti.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqimisht perspektivën euroatlantike të Maqedonisë dhe inkurajojnë tejkalimin e të gjitha pengesave në këtë rrugë, ka potencuar Palmer në takim.

Nikolla Gruevski dënohet me dy vite burg

Nikolla Gruevski dhe Gjoko Popovski u shpallën fajtor për lëndën “Tanku”. Ish-kryministri u dënua me dy vite burg, ndërsa Popovski me 6 vite dhe 6 muaj.

Nikolla Gruevski, Gordana Jankulloska dhe Gjoko Popovski në këtë lëndë janë të akuzuar për blerje të paligjshme të makinës “Mercedes” për siç kanë thënë, nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në leximin e aktgjykimit gjykatësja lexoi të gjitha dëshmitë të cilat janë thënë gjatë gjykimit nga Prokuroria Speciale dhe nga pala mbrojtëse.

Gjykatësja tha se të akuzuarit së pari kanë zgjedhur makinën dhe kanë bërë porosinë e saj, ndërsa më pas edhe është shpallur tenderi nga MPB.

E akuzuara Gordana Jankulloska në këtë lëndë është gjykuar me procedurë të veçantë, ndërsa vendimi për të do të merret në seancë tjetër.

Kurse i akuzuari Gjoko Popovksi edhe gjatë ditës së djeshme nga Gjykata Penale u dënua me nëntë vite burg në lëndën “Treqind”, e cila ka të bëjë poashtu me blerjen e 300 makinave për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Mosregjistrimi i popullsisë pamundëson projektimet zhvillimore

Maqedonia tash 16 vjet nuk ka realizuar regjistrimin e popullsisë dhe kjo në vazhdimësi ka hapur debate me kërkesën për realizimin e këtij operacioni statistikor, jo vetëm që të dihet numri i popullatës, por edhe për planifikimin e politikave ekonomike, arsimore, sociale si edhe të nevojave tjera, ashtu siç veprohet thuajse në të gjitha shtetet në botë.

Regjistrimi i fundit është realizuar në vitin 2002, që u shoqërua me debate të shumta lidhur me përqindjen e popullatës shqiptare, e cila rezultoi të jetë 25.17 për qind. Nga numri i përgjithshëm dhe në bazë të kësaj përqindjeje, u përcaktuan edhe dispozitat kushtetuese mbi të drejtat e bashkësive etnike.

Tentim për regjistrimin e popullsisë kishte dhjetë vjet më vonë, në vitin 2012, por që nuk arriti të përfundojë pikërisht për shkak të përplasjeve nëse duhet ose jo të përfshihet në regjistrim edhe diaspora, që në rast se lihej jashtë, siç kërkonte pala maqedonase, rrezikonte që përqindja e shqiptarëve të binte në mënyrë të ndjeshme.

Nga Qeveria shprehen të përkushtuar për realizimin e regjistrimit, por nuk japin detaje konkrete se kur mund të ndodhë një gjë e tillë. Një proces tjetër i realizuar, ai i regjistrit të popullatës, sipas Qeverisë, “nuk nënkupton edhe regjistrimin e popullatës, por se do të shërbejë vetëm për nevoja tjera të institucioneve”.

Ish-drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Donço Gerasimovski thotë se gjatë këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm, duhet të miratohen Ligji për regjistrim, që më pas të përgatiten materialet metodologjike dhe më së voni në vitin 2020 të bëhet regjistrimi i popullsisë.

“Edhe vendi ynë si çdo shtet anëtar i OKB-së është i obliguar të fillojë me përgatitjet për regjistrim, kushtet teknike ekzistojnë. Qeveria dëshiron të ketë regjistrim duke marrë parasysh nevojën për realizimin e projektimeve të saj, e që shumë prej tyre varen jo vetëm nga numri i popullatës, por edhe të dhëna tjera që dalin nga regjistrimi, si arsimimi, gjendja ekonomike e sociale, shtrirja gjeografike e faktorë të tjerë”, thotë Gerasimovski.

Sipas ekspertëve, regjistrimi i popullsisë është më se i nevojshëm për shkak se të gjitha të dhënat ende përpunohen në bazë të regjistrimit të vitit 2002, e që nuk korrespondojnë aspak më gjendjen momentale. Fatmir Bytyçi, njohës i çështjeve ekonomike, shpreson se kësaj radhe, kur do që të mbahet regjistrimi, të mos politizohet por të shpërbejë për projektimin e politikave për të mirën e popullatës.

“Ne akoma operojmë me një numër të popullsisë prej 2 milionë banorë. Kur flasin për nivelin e papunësisë ne supozojmë se ata dy milionë banorë kanë ngelur në atë nivel ose ka një rritje progresive bazuar sipas përllogaritjeve statistikore. Pra, vlerësoj se janë supozime që e bëjnë shumë të vështirë që të themi se politikat momentale apo ato që janë vendosur kanë qenë relevante për popullatën momentale. Shpresoj se përfundimisht do të kemi regjistrim të popullsisë dhe se ai nuk do të politizohet në parim, por se do të merret vetëm se nga aspekti i përfitimeve ekonomike dhe atyre afatgjate”, thotë Bytyçi.

Edhe Jane Dimevski, nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” flet për nevojën e regjistrimit të popullatës.

“Nuk ka informacione të mjaftueshme e që janë të nevojshme për analiza të ndërlikuara socio-ekonomike. Maqedonia është një nga shtetet e rralla ku nuk është realizuar regjistrimi i popullatës. Këtë ne nuk e kemi bërë tani 20 vjet, që nuk është vetëm se e turpshme, por edhe e dëmshme për të gjitha proceset, pasi me këtë pamundësohet planifikimi i politikave në bazë të parametrave të popullatës, numrit, arsimimit e kështu me radhë”, thotë Dimeski.

Profesori, Risto Malçevski thotë se evidencat mbi popullatën janë të domosdoshme, edhe pse ato sipas tij ekzistojnë bazuar me letërnjoftimet dhe pasaportat e lëshuara për qytetarët. Por, ai nuk e përjashton mundësinë e politizimit, në rast të ndryshimeve të mëdha sa i përket përqindjes së popullatës apo pjesës që ka të bëjë me përkatësinë entike.

“Ky problem mund të na çojë në rrugë tjetër. Mbrojtësit e maqedonizmit thënë kushtimisht, këtë mund ta shfrytëzojnë nëse do të dalin të dhëna tjera sa i përket aspektit etnik mbi bazën e të cilave përkufizohen të drejtat e gjuhës dhe të drejta tjera, dhe në këtë rast regjistrimit do të merrte një kahje krejt tjetër”, thotë Malçevski duke aluduar për shqiptarët, të drejtat e të cilëve kanë për bazë përqindjen e tyre në shtet.

Ndryshe, për dështimin e regjistrimit të popullatës në vitin 2012, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet nën dyshimin se partitë në pushtet regjistrimin e kanë dështuar qëllimisht për evituar pasojat e mundshme ndaj subjekteve të tyre politike.

Zaev: Republika Ilinditase e Maqedonisë është emri për kompromis të mundshëm me Greqinë

“Ilinden është garanci edhe për Maqedoninë multietnike. Maqedonia Ilinditase është shtet, shoqëri, por edhe mirësi dhe zhvillim nën të cilën janë të angazhuar edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe turqit…”

SHKUP – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, pas takimit me krerët shtetëror dhe liderët e partive politike në Klubin e deputëve në Shkup, deklaroi se “Republika Ilinditase e Maqedonisë (Republika Ilindenska Makedonija – Republic of Ilinden Macedonia) është emri për kompromis të mundshëm me Republikën e Greqisë”.

“Informova se qeveritë e Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë biseduan për opsion dhe zgjedhje që mund të jetë e pranueshme për të dyja anët. Republika Ilindenska Makedonija është emri për kompromis të mundshëm me Greqinë, në anglisht Republic of Ilinden Macedonia, në shqip Republika Ilinditase e Maqedonisë”, deklaroi kryeministri Zaev, pas takimit tre orësh me krerët shtetëror.

Kryeministri maqedonas shtoi se Ilinden është e kaluara e lavdishme e vendit dhe Ilinden është e ardhmja e ndritshme e vendit. Ai poashtu theksoi se se me këtë zgjidhje të mundshme vendi e ruan dinjitetin, si dhe dëshmon dhe përforcon identitetin maqedonas.

“Ilinden është garanci edhe për Maqedoninë multietnike. Maqedonia Ilinditase është shtet, shoqëri, por edhe mirësi dhe zhvillim nën të cilën janë të angazhuar edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe turqit, edhe serbët, vllehët, romët, boshnjakët, si dhe të gjithë të tjerët që kanë luftuar për Maqedoni të lirë dhe të pavarur”, u shpreh Zaev, duke iu referuar historisë së vendit.

Në vijim, duke dërguar mesazh ndaj qytetarëve të Greqisë, kryeministri Zaev tha se, “Me këtë emër bëjmë dallim të plotë me rajonin e Maqedonisë në Greqi, dallim në çdo aspekt. Kryengritja e Ilindenit është luftë e përbashkët e popullit tonë multietik për të drejta dhe liri sociale, dhe nuk ka kurrë far aspirata territoriale ndaj asnjë vendi fqinj, përfshirë edhe Greqinë”.

Zaev poashtu bëri të ditur se me marrëveshjen e mundshme do të marrin konfirmim për gjuhën maqedonase, garanci për identitetin dhe kodet ndërkomëbëtare.

Duke paralajmëruar referendum të cilin pala greke e ka pranuar, Zaev tha se “do të pranojmë përdorimin e përgjithshëm të këtij emri, ndërsa për përdorim të brendshëm do të zbatohet në faza”.

Ndryshe takimi vjen pas takimit të së enjtes mes kryeministrit Zaev dhe kryeministrit Alexis Tsirpas në kryeqytetin bullgar, Sofje, pas të cilës kryeministri maqedonas deklaroi se të dy vendet kanë një opsion për zgjidhjen e çështjes së emrit, që mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët.

Në takimin e inicuar nga Zaev në Shkup i pranishëm ishte edhe presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti dhe lideri i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristian Mickovski.

Presidenti Ivanov, pas takimit nuk tha se propozimi i ri për emrin është i pranueshëm nga ana e tij, por shtoi se pasi të marrë propozimet në formë të shkruar do të dalë me qëndrim.

“Siç edhe u paralajmërua, ky takim ishte i karakterit informativ në të cilën kryeministri dhe ministri i jashtëm informuan për ngjarjet e fundit të procesit për gjetjen e zgjidhjes së mundshme për problemin që ka fqinji ynë me emrin tonë kushtetues. U informuam për disa çështje të cilat për herë të parë i dëgjojmë. Ata janë transmetuar gojarisht, kështu që presim që të gjitha këto ide dhe propizime t’i marrim në dokument të shkruar, që të mund të ndërtohet një qëndrim”, deklaroi Ivanov.

Ndërkaq, kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, tha se partia e tij mban qëndrimin e njëjtë dhe nuk do të pranojë ndryshim të Kushtetutës së vendit me qëllim ndryshim të emrit. Ai shtoi se propozimi do të paraqitet dhe prezantohet para organeve të partisë dhe të njëjtin do ta shqyrtojnë.

Vajza e Mirsad Ndrecajt alivanoset gjatë homazheve, nga dhimbja për babain e rënë në Kumanovë

Vajza e Mirsad Ndrecajt alivanoset gjatë homazheve, nga dhimbja për babain e rënë në Kumanovë

Me rastin e trevjetorit të Kumanovës janë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë. Edhe pas tre viteve dhimbja e familjarëve për më të dashurit ende është e madhe, kurse humbjen e prindërive më rëndë po e përjetojnë fëmijët.

Vajza e Mirsad Ndrecajt, Ilirida Ndrecaj nga dhimbja e madhe I ka rënë të fikët gjatë homazheve. Dhimbje të madhe për humbjen e vëllait Arben Rexhaj ndien edhe motra e tij, Merita Rexhaj.

Ajo thotë se dhimbjen ua shton paqartesia qe ende mreteron për atë se çka ndodhi me te vertete para 3 viteve në Kumanovë dhe apelon që autoritetet kosovare të kujdesen për lirimin sa më të shpejtë të arrestuarëve në Kumanovë.

 

Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare (ISPN) organizon në Shkup “Ditët e Evropës” 2018 – Nga Entela Binjaku*

 

Në shumë shtete të Evropës kjo javë ka në qendër  integrimin evropian dhe në nderim të konceptit përbashkues që ky organizëm i madh përfaqëson, këto ditë njihen edhe si “Ditët e Evropës”.  Instituti për Studime Ndërkombëtare dhe Politikë me qendër në Shkup të Republikës së Maqedonisë organizoi për të katërtin vit “Javën Evropiane – Ditët e Evropës”.  Në kuadër të saj  ISPN organizoi një seri aktivitetesh që kanë në qendër aspektet shumë dimensionale të integrimit.  Dita e parë e kësaj jave nisi me ndarjen e  shpërblimeve dhe mirënjohjeve për  studentët pjesëmarrës në konkursin e  eseve i njoftuar javë më parë me temë mbi Unionin Evropian. Në ditën e parë që përkonte me hapjen e një serie aktivitetesh  morën pjesë: Kryetari i Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, zëvendës kryeministri për çështje europiane z. Bujar Osmani dhe Prof. Dr. Ylber Sela – Drejtor i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare. Në ditën e dytë Java Evropiane vijoi me një ligjëratë  nga ambasadorja kroate Danijela Barisic mbi përvojat dhe sfidat e Kroacisë në Unionin Evropian dhe NATO. Kjo ligjëratë u mbajt në Qendrën për Informim të BE-së në Shkup.  Një ndër ditët e kësaj jave ju kushtua konferencës Ndërkombëtare Shkencore me titull “Ballkani Perendimor dhe vlerat euroatlantike – rast studimi Maqedonia“. Kjo konferencë u mbajt  ditën e hënë në  mjediset e Sekretariatit për Çështjet e Evropës (SEA).  Konferencën e hapi drejtuesi i ISPN prof.dr. Ylber Sela i cili e vlerësoi si një temë me rëndësi për shkak se sivjet pritet të hapen negociatat deri në çelje të Samitit të KE dhe të NATO-s. Në këtë konferencë mori pjesë ministri  i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi i cili foli në emër të kabinetit qeverisës mbi strategjitë rajonale me synimin e arritjeve të larta në përputhje me strategjitë e Evropës Juglindore deri në vitin 2020. Ai foli për konceptet e një ekonomie të mbështetur në dije,  përkushtim, angazhim dhe u përqëndrua në mbështetjen  që qeveria po ndërmerr vecanërisht në drejtim të Ndërmarrjeve të Vogla të Mesme (SME).

Aktualisht Bullgaria është shteti që kryeson presidencën e Këshillit të Evropës. Në këtë konferencë ishte e pranishme zv.ambasadorja e Republikës së Bullgarisë në Maqedoni Daniella Budinova e cila foli për vlerat e përbashkëta që ndan kjo presidencë. Nën moton “Të bashkuar jemi më të fortë” ajo foli për angazhimin bullgar për një presidencë të mirë. Znj.Budinova tha “ne besojmë se ambiciet tona duhet të na bashkojnë dhe jo të na ndajnë”. Sa i takon zgjerimit të bashkësisë evropiane zv.ambasadorja Budinova e  cilësoi edhe një herë parimin e mbështetur mbi meritën që paraqitet edhe në raport progreset.

Në këtë konferencë mori fjalën edhe ambasadorja e Republikës së Austrisë në Maqedoni znj. Renate Kobler e cila theksoi se në korrik do të nisë presidenca austriake.  Kjo është hera e tretë që Austria merr kryesimin e kësaj presidence pas vitit 1998 dhe 2006. Ambasadorja e vendit qe pritet të marrë presidencën e Këshillit te Evropës u shpreh se Austria do të japë kontributin e saj për një presidencë të mirë. Më tej ajo përmendi edhe  kategoritë në të cilat kontribuon integrimi siç janë siguria, stabiliteti, konkurueshmëria, duke cituar edhe sloganin e përzgjedhur nga Austria për këtë presidencë: “ Për një Evropë që të mbron!”.

Në  konferencë i pranishëm ishte dhe prof. Dr. Radovan Vukadinovic nga Keshilli i Atlantikut Verior.  Ai tha se edhe herë të tjera ka qenë i ftuar por nuk ka mundur të jetë i pranishëm dhe në fjalën e tij ai foli rreth NATO-s dhe vlerave të saj. “NATO-,  tha ai,  u ndërtua mbi këto parime: paqe, siguri dhe forcë. Sipas tij të gjitha shtetet duhet të  jenë pjesë e NATO-s. Ai foli edhe për raste të veçanta si përshembull Portugalia e cila në kohën kur u pranua në NATO nuk ishte një demokraci i konsoliduar por situata me ishujt Azore e përshpejtoi këtë përfshirje. “Një Evropë më e mirë,-  tha ai,-  nuk mund të jetë pa një NATO më të mirë”.  Zv.Ministri i Mbrojtjes, Dr.Bekim Maksuti i pranishëm në panel tha në fjalën e tij se problemet e kësaj kohe do të mund të zgjidhen nëpërmjet këtyre organizimeve të mëdha siç janë NATO dhe BE. Sipas tij Evropa nuk mund te jetë e lirë pa integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

I ftuar në këtë konferencë ishte dhe z. Arjan Starova nga Shqipëria  i cili foli për vlerat e NATO-s si vlera euro-atlantike. Ai nisi fjalën e tij nisur nga kontributi që NATO jep në bashkësinë evropiane. “Të gjitha këto parime qëndrojnë në themel të demokracive  evropiane,  ndaj vlerat e NATOS janë vlera europiane” u shpreh Starova. Ai foli për rëndësinë që ka edukimi i të rinjve me vlerat e NATO-s pasi ata janë që do të na udhëheqin nesër dhe disa prej dukurive negative të ditëve të sotme mund të ndikojnë negativisht tek të rinjtë sa i takon edukimit mbi NATO-n.

I pranishëm në këtë konferencë ishte dhe zoti Dusan Janic nga “Forumi për Marrëdhëniet Etnike” në Serbi. Në fjalën e tij ai u shpreh se nuk ishte ekspert i çështejve të Maqedonisë por puna e tij në vitin 2001 në Suedi pranë përfaqësuesit të Maqedonisë i dha mjaft njohje mbi këtë temë. Ai gjeti disa pika të përbashkëta mes Serbisë dhe Maqedonisë sa i takon integrimit evropian. Sipas tij “të dyja shtetet tona janë mjaft të vonuara, kanë nivele të larta të korrupsionit, kanë segmente të partive të korruptuara, ndikimi rus, turk në Ballkan është i fortë, ndërkohë që Serbia ka edhe çështjen e negociatave me Kosovën. Ai pohoi se në Maqedoni situata është mjaft më e thjeshtë për shkak se ky shtet ka ngritur institucione që do ta përfundojnë punën e nisur, por në Serbi situata është më e paqartë. Sipas tij Serbija është ose në mes të diçkaje, ose në mes të asgjëje. “Nga ana tjetër  lind pyetja:  Kosova a është në drejtim të NATO-s apo në drejtim të kujt? Sipas tij integrimi në Maqedoni dhe Serbi është shumë i ngadaltë dhe nuk po mbaron. Ai tha se në këtë periudhën e fundit prej 1 vit e gjysmë ka çështje në raport-progreset qe flasin për situata dramatike si përshembull kapitulli IV –që është rendi i ligjit. Serbia tha ai është një nga 9 shtetet që financon terrorizmin. Nuk është e lehtë!  Shumë njerëz besojnë se kjo do të marrë një zgjidhje, madje në korrikun e kaluar presidenti Vucic mori nismën për dialog të brendshëm për Kosovën dhe pati shumë intelektualë që menduan se kishte ardhur koha për një marrëveshje historike, por kur ai u përpoq të mbyllte këtë dialog, ishte e vështirë të mbyllte opinionin publik rreth saj”, u shpreh ai. Sipas tij në Serbi Kosova nuk është kauzë, por është pretekst dhe kjo për dy çështje: 1. Për shkak të përdorimit politik nga forcat e interesuara për të marrë pushtetin 2. Koalicioni qeverisës nuk arriti dot të ndërtojë një opinion mbështetës në drejtim të mbi marrëdhënieve me Brukselin.  “Atëherë,  tha ai.-  lind pyetja: Cila është e ardhmja jonë? A është Evropa apo është status-quoja”? Sipas z. Janic “opinioni publik në Serbi nuk është gati për një rrugë drejt BE-së”.

Në fjalën e saj znj. Ljubica Pendarovska nga Qendra “Marshall” në Maqedoni u shpreh se kur “ke mbjellë një lule, ke mbjellë një jetë” dhe rruga e Maqedonisë është Evropa dhe asnjë alternativë tjetër nuk shtrohet përveç kësaj. Sipas saj ky është një proces që vijon por ajo që nevojitet është një qasje e ndershme ndaj këtij procesi. Sipas znj. Pendarovska  raportet e fundit të BE flasin për një ndërgjegjësim të politikanëve të Maqedonisë mbi rëndësinë e reformave por njëherëzi ju kujton atyre se ka ende punë për tu bërë.  Në mbrëmjen e së hënës aktivitetet në kuadër të Ditëve të Evropës  u vijua me një ceremoni vlerësimesh me mirënjohje për disa nga figurat që kanë kontribuar në fusha të ndryshme të kulturës, shkencës dhe politikës. Me rastin e  Ditës së Evropës dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut në të cilin ndodhemi në këtë edicion të katërt të Javës Evropiane që po organizohet në Shkupin e vjetër,  Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare  në bashkëpunim me Komunën e Çairit akordoi mirënjohjen për 7 personalitete. I pranishëm në këtë takim në marrje të vlerësimit Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi u shpreh i gëzuar dhe i nderuar për këtë respekt dhe shprehu angazhimin e tij në të mirë të zhvillimit të kulturës dhe të vendit. Të tjera vlerësime ju akorduan  Institutit Shqiptar në Zvicër, z. Albert Ramaj; Drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, z. Dorian Koci; Drejtores së Qëndres Informative për Kulturë znj. Sermine Purrini; Drejtorit te ITSHKSH- se z.Skender Asani si dhe dy studiesve Prof. Nuri Bexhetit dhe Prof. Izer Maksutit. Kjo mbrëmje nisi me një duet për flaut dhe violinë ku dy instrumentistë interpretuan pjesën e njohur këngën kushtuar Hajredin Pashës.

Dita e pestë e aktiviteteve në kuadër të “Ditëve të  Europës”, ju kushtua një promovimi libri.  Në Qendrën Informative të BE-së në Shkup u promovua libri i Dr. Arben Fetoshit “Media dhe Integrimi Europian”. Në recensionet e tyre për këtë botim folën profesorët Demush Bajrami dhe Qashif Bakiu të cilët theksuan vlerat e tij shkencore, duke e cilësuar atë një vepër të munguar dhe tejet të rëndësishme për mediet dhe komunikimin. Ndërkaq, Prof. Dr. Ylber Sela, drejtor i ISPN, duke vlerësuar librin dhe punën e autorit, tha se në procesin e Integrimit Europian mediat kanë rol të pazëvendësueshëm, si në aspektin e informimit ashtu edhe në atë të krijimit të opinionit publik. Në këtë promovim folën edhe publicisti Emin Azemi, Agron Hoti nga Ministria e Integrimit Europian në Prishtinë dhe Arben Veselaj në cilësinë e botuesit nga Shtëpia Botuese “Orfeu”. Këto ditë të plota aktivitetesh të larmishme përfundojnë në  datën 9 maj që përkujtohet dhe nderohet si Dita e Evropës.

*M.A. në Institucionet dhe Menaxhimi i Projekteve të Bashkimit Evropian

Formohet Grupi i Ohrit, do të ndihmojë rrugëtimin e Maqedonisë në NATO

Kryeministri Zaev tha se grupi i Ohrit do të angazhohet për të përfunduar punët e nevojshme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE

SHKUP – Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në një konferencë të përbashkët për mediat me ish-sekretarin e NATO-s, George Robertson, të mbajtur në Shkup, promovoi Grupin e Ohrit që ka për qëllim të mbështes vendin drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE).

Gjatë shpalosjes së punës së këtij grupi, kryeministri Zaev tha se grupi i Ohrit do të angazhohet për të përfunduar punët e nevojshme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE.

Ai tha se grupi përbëhet nga miq të konfirmuar të Maqedonisë, të tillë si ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Robertson, ish presidenti i Bulgarisë, Rosen Plevneliev, por edhe Havier Sillana, Carl Bildt, Robert Gelbart, Alen Leroa, Wolfgang Ishinger dhe të tjerë.

“Grupi i Ohrit për mbështetje të Maqedonisë është një grup joformal me anëtarë me përvojë të ndryshme, me një të kaluar të jashtëzakonshme politike. Aktivitetet e anëtarëve të grupit të cilët kanë vulosur karierën e tyre diplomatike do të paraqesin mbështetje të madhe për tentimet e vendit për një Maqedoni demokratike dhe evropiane”, tha Zaev, duke shtuar se Maqedonia dhe NATO tashmë janë miq për 22 vite, gjatë të cilave Maqedonia dëshmoi përkushtimin ndaj këtij partneriteti.

Kryeministri Zaev u ndal edhe tek hapi i madh që ka bërë vendi, pasi siç tha, nga një shtet i kapur u bë një shtet demokratik, ku sundon ligji. Ai shprehu shpresë që viti 2018 të jetë vit historik për Maqedoninë, por edhe për rajonin.

“Dëshirojmë që gjatë këtij viti të marrim ftesën për në NATO dhe të bëhemi anëtari i 30-të i NATO-s. Prandaj, kërkojmë mbështetjen nga të gjithë anëtarët e NATO-së, BE-së dhe miqve të shtetit tonë. Ky grup paraqet sinjal të fuqishëm për një Maqedoni demokratike dhe të orientuar kah Evropa”, theksoi Zaev.

Ish-sekretari i NATO-s Robertson, nga ana e tij, evokoi kujtimet nga viti 2001 kur ka pasur një rol për dhënien fund të konfliktit të armatosur në Maqedoni. Ai tha se rëndësia e qytetit të Ohrit ka vendosur edhe emrin e grupit.

“Shteti i cili ishte në prag të luftës civile u shndërrua në një vend i cili po troket në portat evropiane”, tha Robertson.

I pyetur të komentojë çështjen e emrit dhe rrezikun nga mosanëtarësimi në NATO, Robertson tha se grupi i tij do të këshilloj qeverinë e Maqedonisë dhe ministrat, por theksoi se çështjet e rëndësishme vendi do të duhet t’i zgjidh vet.

“Janë disa çështje të cilat do të duhet të zgjidhen nga Maqedonia dhe Greqia dhe fqinjët, të cilët do të duhet të parashtrojnë pyetjen se si do të dëshironin gjeneratat e ardhshme që ne të votojmë dhe të veprojmë sot”, tha Robertson.

Ai shtoi se është me rëndësi që Maqedonia dhe qytetarët e saj të angazhohen, të marrin vendime, që mund të mos jenë të lehtë, por të rëndësishëm për të ardhmen. aa

Rasti ‘Monstra’, Zaev jep detajet për telefonatën në mes Azirit dhe Bejtës

Të gjitha materialet, jo vetëm për “Monstrën”, të gjitha që i kam poseduar, përfshirë këtu edhe Zoran Zaevin, Branko Cervenkovskin, Sugarevskin, Shekerinskën, gjithçka është dorëzuar atje”, kështu është përgjigjur sot kryeministri i Maqedonisë dhe lideri i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev pyetjes se do të dëshmoni për rastin “Monstra” meqë kjo është kërkuar nga famijarët e të akuzuarve, tha Zaev në fjalimin e tij.

Duke komentuar edhe deklaratën e ditë më parë të të akuzuarit të rastit “Monstra”, Fejzi Aziri se është zhvilluar bisedë mes këtij të fundit dhe ish kryetarit të Gostivarit, Nevzat Bejta, Zaev ka thënë se biseda ka pasur të bëjë për marrje të subvencionit në vlerë prej 400 eurove nga Aziri.

“Deri tash për shkak të ndjenjës së humbjes së prindërve që kanë humbur fëmijët kam treguar biseda në hapësirat e LSDM-së, ku pamë se si njëri nga të dyshuarit, Aziri, bisedon në telefon me ish atëherë kryetarin e Gostivarit, Nevzat Bejtën dhe e lut për 400 euro subvencione në bujqësi, të dhive, ka disa stallë, unë e kam treguar atë bisedë dhe kam treguar edhe se prindërit kanë biseduar. I kanë parë bisedat të gjithë, dhe në fund tërë ajo është dorëzuar. Zoran Zaev nuk mund të jetë hetues, as prokuror e që do të japë vlerësime apo të ngjashme. Prandaj edhe procesi është duke u zhvilluar nga fillimi sepse kam dëshmuar se aty ka dëshmi bazike”, tha Zaev.

Përndryshe, pas seancës së rastit “Monstra” që u mbajt më 17 prill, vëllai i të akuzuarit Fejzi Aziri, Bejdiu kërkoi që publikisht të publikohet biseda mes vëllait të tij, Fejzi Aziri dhe ish-kryetarit të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta. Ai shtoi se biseda është private dhe do të ishte qesharake nëse publikohet.

Në lidhje me këtë, Zaev tha sot: “Shpresoj se materiale private nuk do të dalin, dhe deri tash nuk ka ndodhur një gjë e tillë”./Gazeta Express/

Zaevi flet për rastin “Monstra”

Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se do të paraqitet si dëshmitar në rastin „Monstra„ në një gjë të tillë e kërkon nga unë gjykata.

Kjo deklaratë e Zaevit vjen pas akuzave të familjarëve të fëmijëve të vrarë duke thënë se ai nuk ka ndërmend të luajë rolin e hetuesit dhe këtë ua le gjykatave të bëjnë punën e tyre.

Zaev ka thënë se edhe familjarëve u ka thënë se biseda telefonike mes Azirit dhe Bejtës në të cilin Fejzi Aziri ka kërkuar subvencione për bujqësi.


Send this to a friend