VOAL

VOAL

Shqiptari mund të bëhet përkohësisht president i Maqedonisë

Qeveria në Maqedoni do të iniciojë ndryshime të reja kushtetuese për zgjedhjen e presidentit në mënyrë që ai të zgjidhet në Kuvend, në rast se opozita vendos të bojkotojë zgjedhjet, thonë nga burimet e qeverisë, raporton agjencia Ina.

Derisa të zhvillohen procedurat për ndryshimet të cilat zgjasin 100 ditë, detyrën e presidentit sipas Kushtetutës së Maqedonisë përkohësisht do ta kryejë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Zgjedhjet presidenciale duhet të paraqiten me 2 ose 3 shkurt, ndërsa duhet të zhvillohen në fund të muajt mars.

VMRO-DPMNE nuk ka paralajmëruar bojkotim të zgjedhjeve, por në rast të tillë nëse nuk ka konsensus për zgjedhjen e presidentit të vendit, Qeveria nuk e hedh poshtë mundësinë e bërjes së ndryshimeve kushtetuese me të cilat do të ndryshohej mënyra e zgjedhjes së presidentit.

Zgjedhjet që të jenë të suksesshme, në raundin e dytë duhet të dalin 40 për qind e atyre të cilët janë të regjistruar në Listën Zgjedhore.

Ligji për shqipen hyn në fuqi së bashku me Marrëveshjen për emrin

Isuf Kadriu

Ligji për përdorimin e gjuhëve, që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe do të fuqizohet së bashku me marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

Kjo marrëveshje, sipas kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, por edhe zyrtarëve të Qeverisë pritet të miratohet në seancën e caktuar për 9 janar, ndërsa më pas së bashku me Ligjin e gjuhëve do të dërgohet për botim në Gazetën Zyrtare. Kryeparlamentari Talat Xhaferi, i pyetur të komentojë refuzimin e presidentit, Gjorge Ivanov për të dekretuar Ligjin për gjuhën, por edhe fazën e parë të Marrëveshjes me Greqinë, ka thënë se askush nuk do të mund të ndalojë fuqizimin e këtyre akteve ligjore.

“Nuk kam nevojë të merrem vesh me dikë kur janë në pyetje kompetencat kushtetuese të institucioneve. Presidenti Ivanov ishte i obliguar që këtë ta bënte, por nuk e bëri, kështu që konsideroj se është një çështje e absorbuar. Mendoj se askush nuk ka të drejtë të pengojë vullnetin e deputetëve dhe kjo edhe do të ndodhë”, ka deklaruar Xhaferi.

Kryeparlamentari Xhaferi është shprehur i bindur se amendamentet kushtetuese do të votohen në afatin e paraparë, ndoshta edhe më herët se 15 janari, pasi nuk pret debat nga deputetët, edhe për faktin se VMRO-ja opozitare ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë në seancë, duke e quajtur farsë gjithë debatin për shkak të refuzimit të vërejtjeve të saj që kanë të bëjnë me kundërshtimin e Marrëveshjes për emrin, të cilën e vlerëson si “kapitulluese për vendin”.

Por nga opozita shqiptare e cila edhe më parë ka pasur vërejtje për statusin e gjuhës shqipe, thonë se tashmë kanë hartuar amendamente me qëllim avancimin e gjuhës shqipe, përkatësisht barazinë e saj me gjuhën maqedonase.

“Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjuhë tjetër zyrtare përveç gjuhës maqedonase është edhe gjuha shqipe dhe shkrimi i saj latin. Pra, kërkojmë një ndryshim vetëm të paragrafit 2 të amendamentit 5 të Kushtetutës”, ka deklaruar Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa, parti kjo e cila vepron në dy pjesë, njëra në Qeveri, e tjetra në opozitë.

Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar më 14 mars ndërsa tre ditë më vonë presidenti Ivanov kishte njoftuar se refuzon dekretimin e tij. Ligji sërish është miratuar më 19 mars, por presidenti sërish ka refuzuar ta nënshkruajë atë edhe pse Kushtetuta e detyronte ta dekretojë pas kalimit të dytë në Kuvend.

Presieden Ivanov Ligjin për përdorimin e gjuhëve e ka vlerësuar “antikushtetues, antishtetëror dhe nxitës të tensioneve ndëretnike”.

Ligji ndërkohë mbeti anash për shkak të rrethanave politike, arritjes së Marrëveshjes me Greqinë për emrin në qershor, referendumit si dhe procedurave tjera për zbatimin e saj.

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës në Maqedoni”.

Neni 7 i Kushtetutës së Maqedonisë, ku flitet për gjuhën të cilën e flasin “20 për qind” e popullsisë së Maqedonisë.

Ligji avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, si në të folur ashtu edhe në shkruar, në të gjitha institucionet e nivel lokal dhe qendror.

Në Shkup mbahet gara tradicionale e babadimrave

SHKUP – Në kuadër të festave të fundvitit, sot në qendër të Shkupit u mbajt “Gara e Babadimrave”, e pesta me radhë, organizuar nga shoqata për sport dhe rekreacion “I pari në majë”, me mbështetje të Qytetit të Shkupit.

Gara krahas karakterit garues, kishte edhe atë argëtues, ku në të morën pjesë persona nga të gjitha grupmoshat. Gjatësia e shtegut të vrapimit ishte 2 kilometra. Starti dhe finishi i garës u realizua në sheshin “Maqedonia”.

Qindra pjesëmarrës të veshur në kostume të Babadimrit vrapuan drejt Portës së Maqedonisë, Parkut Gruaja Luftëtare, ura tek MPJ-ja, përgjatë lumit Vardar drejt Urës së Gurit dhe përmes urës arritën deri te caku.

Në ndarjen e çmimeve mori pjesë edhe kryetari i Shkupit, Petre Shilegov. Ai theksoi se ndjehet mirë që gara tradicionale e Babadimrit mbahet për vitin e pestë me radhë dhe të gjithëve ua uroi vitin e ri.

“Unë shpresoj se jo vetëm sot, por edhe javët e kaluara, kemi arritur të krijojmë një atmosferë të bukur këtu në qytetin tonë. Ju dëshirojë të gjithëve shëndet dhe fat në vitin e ri 2019”, theksoi Shilegov.

Në konkurrencë të “babadimrave” femra vendin e parë e fitoi Renata Sokolovska, të dytin Naumovska Bojana, ndërsa të tretin Marija Bogdanovska.

Në konkurrencë të meshkujve vendin e parë e fitoi Nikolla Tanevski, të dytin Stojçe Petrovski, ndërsa të tretin Filip Stojanovski. aa

A po rrezikohet marrëveshja për Maqedoninë e Veriut?

Isuf Kadriu

Marrëveshja ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e kontestit të emrit ka hyrë në fazën e fundit të zbatimit, para së gjithash në Maqedoni, pasi vetëm pas realizimit të detyrimeve nga Shkupi zyrtar, kjo marrëveshje duhet të aprovohet edhe në Parlamentin e Greqisë. Por, reagimet e shumta të ditëve të fundit në Athinë kanë ngritur dilemat nëse marrëveshja do të zbatohet nga pala greke.

Partia e Grekëve të Pavarur, një nga partitë me ndikim në Qeverinë e kryeministrit grek, Alexis Tspiras, është kërcënuar se nuk do ta mbështesë ratifikimin e marrëveshjes për shkak të, siç ka thënë kreu i saj, Panos Kammenos, fjalorit nxitës të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, se gjuha maqedonase dhe identiteti garantohen me marrëveshjen mes dy vendeve, të arritur më 17 qershor në Prespë.

Madje, Kammenos, që është ministër i Mbrojtjes, ka thënë se do të largohet nga Qeveria sapo marrëveshja të jetë miratuar në tërësi nga pala maqedonase për të pamundësuar ratifikimin e saj në Parlamentin e Greqisë.

Njohësit e çështjeve politike reagimet e tilla të zyrtarëve grekë më tepër i ndërlidhin me afrimin e zgjedhjeve në Greqi, se sa me ndonjë ndryshim në politikën e tyre, sa i përket zgjidhjes më se 27-vjeçare të emrit me Maqedoninë.

“Duhet ta dimë një fakt se atje si duket ka filluar fushata parazgjedhore. Tani liderët dhe partitë politike atje, ndërtojnë pozicione në bazë të disponimit të elektoratit të tyre. Fatkeqësisht, atje ekziston një bindje, e cila po interpretohet si vullnet i qytetarëve kundër Marrëveshjes së Prespës”.

“Kjo përqindje sikur po i ngacmon udhëheqësit e partive politike, të cilët mendojnë se do të kenë përkrahje të madhe nëse do të kenë qëndrim kundër kësaj marrëveshjeje”, thotë Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë dhe këshilltar i jashtëm i kryeministrit Zaev.

Video nga arkivi: “Bie Aleksandri i Madh”

Ramadani thotë se kjo marrëveshje është arritur falë angazhimit të madh të faktorit ndërkombëtar, SHBA-së, BE-së dhe NATO-s dhe ato, sipas tij, në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë dështimin e marrëveshjes.

“Është një e vërtetë që vlen edhe për këtu, se ky proces, kjo marrëveshje dhe këto procedura janë mirë të kontrolluara nga faktori relevant ndërkombëtar. Kështu që, Greqia sigurisht se do t’u përshtatet ndikimeve që vijnë nga partnerët e saj, qoftë nga BE-ja, NATO-ja apo SHBA-ja”, thekson Ramadani.

Sa i përket Maqedonisë, marrëveshja ka kaluar në fazën e fundit dhe pas hartimit të amendamenteve që janë në përputhje me marrëveshjen për emrin e ri “Maqedonia e Veriut”, ka mbetur edhe votimi në seancën plenare, e paraparë të mbahet më 9 janar 2019. Edhe kësaj radhe, ajo pritet të votohet me dy të tretat e nevojshme në Kuvend dhe këtë numër pritet ta sigurojnë 6 deputetët e përjashtuar nga VMRO DPMNE-ja që fituan amnistinë për ngjarjet e dhunshme në Kuvend.

Këtë formë të sigurimit të votave, analisti Alajdin Demiri, e vlerëson të turpshme dhe pafuqi të pushtetit për të garantuar proces të ndershëm.

“Kjo është nonsens, është keqpërdorim i pushtetit. Është e vërtetë se kjo bëhet për qëllime sublime, të mëdha siç i quajnë ato, por është keqpërdorim. Kjo është ajo situatë, e cila e tregon gjendjen shpirtërore dhe reale si të politikës, e cila nuk ka kapacitet që një proces ta çojë në mënyrë demokratike, por shumë lehtë hynë në situata të kriminalitetit”, vlerëson Demiri.

Kontesti mes dy vendeve daton që nga viti 1991, kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë, ndërsa Greqia ka bllokuar integrimin e saj në NATO dhe BE, me arsyetimin se fqinji i saj mund të ketë pretendime ndaj territorit të saj verior që, po ashtu, quhet Maqedoni. 27 vjet më vonë dy vendet janë pajtuar me një zgjidhje që parasheh që Maqedonia të quhet “Maqedonia e Veriut”, ndërsa maqedonasit e sotëm të mos kenë lidhshmëri me maqedonasit antik, ndërsa gjuha maqedonase të pranohet se i takon grupit të gjuhëve sllave.

Zaev u përgjigjet zyrtarëve bullgarë: Jam maqedon, flas maqedonisht

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev iu është përgjigjur deklaratave të fundit të zyrtarëve të lartë të Bullgarisë lidhur me pohimet e tij për gjuhën dhe kombin maqedon duke theksuar se askush në botë nuk mund t’i kontestojë dikujt të drejtën e përcaktimit etnik, që sipas Zaevit, është vlerë evropiane e cila duhet të pranohet nga të gjithë.

“Unë jam maqedon, flas gjuhën maqedone, kjo është e drejtë e imja. Kjo është vlerë evropiane. Unë pres që vlerat evropiane të pranohen nga të gjithë. Ashtu siç kam shtrirë dorën dhe kam pranuar të ndajmë historinë e përbashkët, do të vazhdojë të flas në frymën e miqësisë dhe do të vazhdojë të ndërtojë fqinjësi të mirë, pa marrë parasysh se në çka i bazojnë deklaratat e tyre. Unë besoj se zoti Karakaçanov, ministrja e jashtme Zaharieva dhe kryeministri Borisov, por para së gjithash populli bullgar është popull mik i popullit tonë”, ka deklaruar kryeministri Zaev duke shtuar se të drejtën e përcaktimit e garanton marrëveshja me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit me të cilën Maqedonia do të ketë emër të ri, Maqedonia e Veriut.

Reagimet e zyrtarëve bullgarë kishin pasuar një deklaratë të kryeministrit Zaev se “Marrëveshja e Prespës vërteton ekzistimin e gjuhës maqedonase dhe se askush më nuk do të ketë të drejtë që këtë ta kontestojë”.

“Zoti Zaev, mos e keqpërdorni temën me gjuhën maqedonase. Kjo mund t’ju kushtojë me anëtarësimin në NATO dhe BE… Maqedonia e Veriut është emërtim gjeografik që përfshin edhe territore të Republikës së Bullgarisë. Zaevi nesër mund të dëshirojë një dialekt të ngjashëm bullgar të mësohet si gjuhë zyrtare e huaj te ne. Kjo është e papranueshme. Ky është provokim”, kishte deklaruar Krasimir Karakaçanov, Zëvendëskryeministër për siguri dhe Ministër i Mbrojtjes.

Maqedonia dhe Bullgaria marrëveshjen e fqinjësisë së mirë e kanë arritur më 1 gusht dhe me të dy vendet pretendojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet historike që kryesisht kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase të paraluftës së dytë botërore. Marrëveshja ishte nënshkruar edhe në gjuhën maqedonase të cilën tani zyrtarët bullgarë e mohojnë.

Amnistia për 27 prillin, pazar me Gjyqësorin

Isuf Kadriu

Amnistia e mundshme për pjesëmarrësit në dhunën në Kuvend, më 27 prill të vitit 2017, nuk është asgjë tjetër pos pazar politik, apo kontrabandë me Gjyqësorin për qëllime tjera politike, thonë njohësit e çështjeve juridike duke komentuar lirimin e diskutueshëm të dhjetëra personave, në mesin e të cilëve edhe të gjashtë deputetëve që po gjykohen për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”.

Propozimi për amnisti apo falje është iniciuar nga kryeministri Zoran Zaev, para votimit të nismës për ndryshime kushtetuese, ndërsa filloi të finalizohet pasi mori mbështetje nga deputetët që po gjykohen për 27 prillin, pa votat e të cilëve do të ishte i pamundur kalimi i fazës së parë të zbatimit të Marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Këta duan që në njërën anë të mos dëmtohet Gjyqësori, ndërsa në anën tjetër ndërhyjnë në mënyrë indirekte, që është e papranueshme për sistemin e drejtësisë. Vetëm pasi të jetë sjellë vendimi gjyqësor apo pasi të jetë shqiptuar masa e dënimit, mund të bisedohet për falje apo të ngjashme, kjo është ana juridike”.

“Por, kjo siç bëhet tani, është e pakuptimtë dhe e papranueshme në aspektin juridik. Këtu, thjesht, kemi të bëjmë me pazare politike, me të cilat kontrabandohet sistemi gjyqësor”, thotë Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetin e Tetovës.

Ligji i mundshëm për amnisti nuk është asgjë tjetër pos shpërblim për ata deputetë që siguruan dy të tretat në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, thotë ndërkohë Vlladimir Bozhinovski, njohës i çështjeve politike.

“Ideja ishte që të binden disa deputetë që të votojnë për Marrëveshjen me Greqinë. Pra, nëse nisemi nga qëllimet për miratimin e Ligjit për amnisti, gjithçka është e qartë, ai propozohet për t’i shpërblyer ata deputetë që siguruan dy të tretat e votave të nevojshme”.

“Nëse nuk do të kishte nevojë për votat e tyre, as që do të hapej ndonjëherë debati për amnisti apo falje dhe kjo duhet të përfshijë të gjithë ata që janë përfshirë në padinë për ngjarjen në Kuvend. Si reflektohet kjo tani në Gjyqësor, unë vlerësoj se nuk ka njeri në vend që beson se Gjyqësori është i pavarur”, vlerëson Bozhinovski

Me mbylljen e dhunës në Kuvend me amnisti, jo vetëm që rrënohet sundimi i së drejtës, por edhe përçohet mesazhi se Maqedonia ende nuk është e gatshme për zbatimin e vlerave evropiane për Gjyqësor të pavarur dhe luftimin e krimit, konsideron Naser Zyberi, njohës i çështjeve juridike.

Ai thotë se Maqedonia ka të drejtë të arrijë marrëveshje dypalëshe, siç është edhe kjo me Greqinë për emrin, por assesi nuk guxon që zbatimin e saj ta realizojë përmes shkeljeve tjera që mund të kenë pasoja për vendin.

“A ka legjitimitet një strukturë qeverisëse që për hir të realizimit të koncepteve të saj politike, të bëjë koncesione në dëm të sistemit juridik? Kjo është çështja që shtrohet aktualisht. Është e pamohueshme se Qeveria ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe dhe ndërkombëtare, por vënia në funksion e atyre marrëveshjeve, a duhet të shkojë në dëm të Gjyqësorit?”

“Sigurisht se jo, pasi këto dy procese, gjykimi për 27 prillin dhe Marrëveshja për emrin, janë përjashtuese njëra me tjetrën, njëri proces është politik dhe tjetri juridik. Është diskutabile se sa këto janë kompatibile me vlerat themelore të BE-së dhe NATO-s për sundim të ligjit, për eliminimin e dukurive devijuese, etj”, thotë Zyberi.

Ndryshe, në dy proceset e fundit gjyqësore për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill 2017, disa nga të akuzuarit për herë të parë kanë folur për organizatorët e ngjarjeve të dhunshme, duke apostrofuar personalitete të larta të Qeverisë së kaluar dhe të VMRO-DPMNE-së së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili ka fituar azil politik në Hungari pas arratisjes nga Maqedonia për t’i ikur dënimit prej dy vjet burgim për shpërdorim detyre. Po për vepra të njëjta ai po gjykohet edhe në të paktën katër procese tjera gjyqësore.

Maqedoni, arrestohet ish-shefi i shërbimit sekret, Vladimir Atanasovski

Isak Ramadani

Një gjykatë në Shkup i shqiptoi masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh, ish-drejtoritë shërbimit sekret maqedonas, Vladimir Atanasovski.

Ai akuzohet për përfshirje në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit 2017 në parlamentin e Maqedonisë. Zoti Atanasovski u arrestua të martën mbrëma pas dëshmisë së dhënë në gjykatë nga dy vëllezërit Mlladenovski, të cilët drejtuan gishtin kah ish-shefi i shërbimit sekret, si organizator i atyre ngjarjeve.

Atanasovski ngarkohet për veprën penale “bashkim me qëllim të veprimit armiqësor”, për çka ligjet e vendit parashikojnë dënim me burg së paku prej katër vjetësh.

Prokurorja Vilma Ruskovska i tha medies se kishte kërkuar arrestimin e Atanasovskit për shkak të mundësisë së arratisjes së tij, të ushtrimit të ndikimit ndaj dëshmitarëve dhe rrezikut të përsëritjes së veprës penale.

Dy vëllezërit të cilët dëshmuan në procesin gjyqësor, e që po ashtu janë të akuzuar në këtë proces, thanë se planin e kishte përgatitur dhe zbatuar ish-shefi i shërbimit së bashku me Aleksandar Vasilevskin – Ninxha, “i cili kishte pasur mbështetje të plotë logjistike nga strukturat e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim”, siç njihet shërbimi sekret maqedonas “dhe nga ish-zëvendës-shefi i Drejtorisë së Pestë në Ministrinë e punëve të brendshme, Nikolla Boshkovski”, i cili është arratisur prej muajsh dhe ndodhet në Greqi ku ka kërkuar strehim.

Vladimir Atanasovski qe emëruar drejtor i shërbimit sekret në vjeshtën e 2016-s pas dorëheqjes së Sasho Mijallkovit nga detyra, kur filluan dhe hetimet për dhunën në parlament. Atanasovski aktualisht ishte i angazhuar si këshilltar për çështjet e sigurisë në kabinetin e kryetarit të partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski.

Hetimet pritet të zgjerohen, ndërsa prokuroria nuk dha hollësi të tjera.

Nga ana tjetër, pushteti dhe tetë ligjvënësit e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja po përgatisin një projekt-ligj për faljen e një kategorie personash të cilët akuzohen për përfshirje në dhunën e 27 prillit të vitit të kaluar. Pesë deputetë të VMRO-së janë në listën e të akuzuarve. Pritet që do të falen ata të cilët ishin pjesë e turmës që hyri me forcë në parlament, deputetët e akuzuar gjithashtu, por jo organizatorët dhe ata të cilët ushtruan dhunë të drejtpërdrejtë.

Parlamenti i Maqedonisë votoi amendamentet për ndryshimin e emrit të vendit

Isak Ramadani

Parlamenti i Maqedonisë votoi amendamentet për ndryshimin e emrit të vendit, por faza kryesore, miratimi me një shumicë të kualifikuar prej dy të tretave të votave i ndryshimeve kushtetuese pritet bëhet në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit.

Amendamenti për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Veriut” u miratua me 67 vota, 18 ishin kundër, ndërsa tetë ligjvënësit e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja e opozitës abstenuan. Abstenimi i tyre duket se ka shqetësuar pushtetin. Qeveria dhe tetë ligjvënësit para pak ditësh arritën një marrëveshje për një lloj amnistie të një kategorie personash të akuzuar për dhunën në parlament më 27 prill, 2017 dhe kjo do të thoshte se ata do të votojnë ndryshimet e kushtetutës, përkatësisht ndryshimin e emrit të kontestuar të Republikës së Maqedonisë. Qëndrimi i ri i tyre mbi amendamentet mbase ndërlidhet me masën e paraburgimit për ish-drejtorin e shërbimit sekret Sasho Mjallkov, për çka duket se ka një afërsi midis tyre, madje se zoti Mijallkov t’i kishte bindur ata të votonin hapjen e ndryshimeve kushtetuese para pak javësh.

Ndërkohë, në lidhje me ndryshimin e Preambulës së Kushtetutës, ku shtohet dhe Marrëveshja e Ohrit, ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov tha se mund të ketë hapsirë për ndryshime të tjera, duke lënë të kuptohet se mund të zënë vend kërkesat e opozitës, por pas një debati publik dhe vlerësimeve të ekspertëve. Opozita shqiptare kërkon që në preambulë të përmendet edhe populli shqiptar. Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët tha se këmbëngulë që shteti në Preambulë të përcaktohet si shtet multietnik.

Këto ndryshime vijnë si rezultat i Marrëveshjes së Prespës të arritur më 17 qershor midis qeverive të Shkupit dhe Athinës për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve më se 25 vjeçe rreth emrit Maqedoni. Por, ndryshimet kushtetuese në Republikën e Maqedonisë do të zbatohen vetëm pasi parlamenti grek ta miratojë Marrëveshjen e Prespës.

Në atë rast, Shkupi do të bënte hapa të shpejtë drejt anëtarësimit në NATO dhe drejt integrimit në Bashkimin Evropian

Zaev: Di gjithçka për arratisjen e Gruevskit

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka deklaruar se ka informacione për arratisjen e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, por për këtë do të flasë në një moment tjetër.

“I di të gjitha detajet, plotësisht jam i informuar. Kur do të vij koha unë dhe ministri Spasovski do t’i themi të gjitha detajet e hetimit, edhe për pjesën e hetimeve brenda MPB-së, por edhe për pjesën e Prokurorisë Publike”, theksoi Zaev.

Më tej ai u shpreh se pasi të përfundojnë hetimet, do të jap hollësi.

“Këtë nuk mund ta bëj tani për shkak të respektimit të hetimeve dhe ligjit”, tha Zaev, informon agjencia INA.

Hetimet për Gruevskin po zhvillohen rreth asaj se kush dhe si e ka ndihmuar Gruevskin për të lënë territorin e Maqedonisë.

Në kuadër të këtij debati, shoqata dhe parti opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të brendshëm, Oliver Spasovski, por edhe përgjegjësi nga Qeveria.

U nda nga jeta kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata

U nda nga jeta kreu i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata, njoftuan rrjet sociale në Facebook, Tweeter dhe protalet nga Maqedonia dhe media shqiptare.
Lata , sipas tyre vuante nga një sëmundje e rëndë në zemër, ndërkohë që ky ishte mandati i dytë si kryetar komune nga radhët e BDI-së.

Më pare se të zgjidhej Kryetar Komune, magjister Ruzhdi Lata ka qenë teolg, historian dhe studiues i njohur në botën shqiptare, një nga personalitet më popullore në Dibër të Madhe, I njohur për kontributin e tij në çështjen kombëtare.

I lindur më 06.05.1953, në Dibër. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Pas përfundimit të shkollës së mesme vazhdon studimet ne fakulltetin Filologjik-dega Gjuhë orientale në Universitetin e Prishtinës. Shkallën e tretë të studimeve e kreu në Universitetin e Prishtinës dhe morri titullin Magjistër i shkencave të filologjisë.

Karriera e tij në public fillon prej vitit 1980 ka punuar në Bashkësinë Islame dhe në të njejtën kohë ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës në katedrën e Orientalistikës deri në vitin 1991 kur sërbët me dhunë e larguan nga fakullteti.

 

Punën në Prishtinë e vazhdoi edhe dy vjet në shtëpi private ku fakullteti mbante mësim. Pas vitit 1993 përsëri paralelisht dy vjet punoi në Bashkësinë Islame në Maqedoni dhe në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup deri në vitin 1995. Pas vitit 1995 punoi vetëm në Bashkësinë Islame deri në vitin 2009, pas vitit 2009 gjer në vitin 2013 punoi në Bashkësin Islame dhe ligjerues në katedrën e Orientalistikës në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Në vitin 2013 u votua dhe u zgjodh kryetar i Komunë së Dibrës.

Ai zotronte mire dhe fliste gjuhën letrae shqip, fliste e dinte maqedonisht, sërbokroatisht, turqisht dhe arabisht.

Lata gjatë karierës së tij është marrë me përkthime nga arabishtja, vepra e dhjetë e Sahihil-Buhariut, nga turqishtja, romani i Sami Frashërit “Dashuria e Talatit me Fitneten”, publikim i disa artikujve në katër vazhdime për Haxhi Vehbi Dibrën, Haki Sharofin, Fuat Dibrën etj.

 

Pjesmarrës në disa simpoziume ndërkombëtare dhe konferenca shkencore me temë “Kontributi i Ulemave dibranë në lëvizjen kombëtare”, “Kontributi i Ulemave të Rekës”, “Pjesmarrja e hoxhallarëve në Lidhjen shqiptare të Prizrenit dhe në Shpalljen e Pavarësisë” etj.

Ruzhdi Lata ka qenë përkrahës i lëvizjeve demokratike në Dibër dhe më gjërë, kontribut të veçantë ka dhënë për themelimin e partive politike shqiptare në Dibër pas vitit 1990.

Njihet edhe si aktivist për pajtimin e popullatës në raste konfliktesh të të gjitha niveleve dhe ka të regjistruar mbi 150 pajtime.

Njihet edhe si organizator për ndihmesë materiale për nevojën e kosovarëve, për pritjen dhe sistemimin e bashkëatdhetarëve nga Kosova në Dibër, për Lëvizjen kombëtare shqiptare në Maqedoni, për nevojat e qytetarëve të Peshkopisë në krizën e vitit 1997 etj.

 

Për punën e bërë gjatë kësaj kohe Ruzhdi Lata me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë dekorohet Qytetar Nderi nga Këshilli Bashkiak i Peshkopisë.

Ruzhdi Lata do të kujtohet gjatë si një patriot i shquar, atdhetar , liridashës, paqedashës, besmitar m devotshëm në komb e fenë e tij, studies, historian, dhe intelektual in madh dibran, buajr dhe zemërgjerë, i mençur dhe shumë popullor.

Familja humbi njeriun më të dashur të tyre, dibra dhe shqiptarët një figure të madhe, një patriot i shquar, atdhetar , liridashës, paqedashës, besmitar të devotshëm në komb e fenë e tij.

I lehtë dheu i asaj toke Pushofshë në Paqe – Ruzhdi Lata!

Maqedoni, arrestohet ish shefi i sigurimit Mijalkov

Sasho Mijalkov

Policia e Maqedonisë tha se ka arrestuar ish-shefin e shërbimit të sigurimit, Sasho Mijalkov për shkak të informatave se ai po përgatitej për t’u arratisur.

Zotit Mijalkov i është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh dhe është dërguar në burgun e Shuto Orizares në Shkup.

Gjykata Themelore njoftoi se arrestimi është bërë me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Zoti Mijalkov akuzohet për një vepër penale në çështjet e njohura me emrat “Target”, “Fortesa”, “Tortura” dhe së fundmi “Perandoria”. Ai ishte i pranishëm të martën në seancën ku po zhvillohej procesi kundër tij.

Zoti Mijalkov është kushëriri i parë i Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrit të arratisur në Hungari.

Sasho Mijallkov konsiderohet si njeri me shumë fuqi dhe ndikim. Mendohet se ishte ai që solli Gruevskin në postin e kryeministrit, ku qëndroi për më tepër se dhjetë vjet.

Shpaloset programi për shënimin e Ditës së Alfabetit Shqip

SHKUP – Kongresi i Alfabetit në Manastir 110 vjet më parë ka rëndësi edhe në kontekstin bashkëkohor politik, pasi shqiptarët e këtij rajoni janë para momenteve të rëndësishme për të siguruar orientimin e tyre perëndimor, deklaroi zëvendës kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, me rastin e shpalosjes së aktiviteteve të cilat do ta shoqërojnë shënimin e kësaj date në Maqedoni.

Siç bëri të ditur Osmani, 110 vjetori nga unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe, sivjet do të shënohet me moton, “Për ne, dielli lind në perëndim”, mendim i parafrazuar i Naim Frashërit, që flet për përcaktimin thelbësor të shqiptarëve drejt vlerave të civilizimit perëndimor, për të shtuar se kjo korrespodon edhe me përcaktimin e sotëm të vendit drejt ardhmërisë evropiane dhe atlantike.

Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, tha Osmani, e obliguan Sekretariatin për Çështje Evropiane t’i organizojë ngjarjet që kanë të bëjnë me shënimin e këtij jubileu.

“Për ditën e Alfabetit shqip, 110 vjetori nga Kongresi i Manastirit, kemi organizuar më shumë ngjarje në Shkup dhe në Manastir të cilat do të kurorëzohen me koncertin e gjigantit të violinës Shkëlzen Doli me Filarmoninë e Maqedonisë dhe dirixhimin e Mihail Micijashçik nga Polonia që do të mbahet të enjten në Shkup”, tha Osmani, sipas të cilit do të mbahen edhe ngjarje në Shkup dhe Manastir, konferenca dhe debate shkencore si dhe promovime librash.

Drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH), Skender Asani, nga ana e tij tha se ndjehet i lumtur për përfshirjen e tij në këtë shënim, pasi siç tha, 22 Nëntori është e dita e themelit të këtij institucioni të rëndësishëm për shqiptarët në Maqedoni, ndërsa për vet përmbajtjen, tha se kanë bërë përpjekje të përfshijë personalitete nga të gjitha institucionet shtetërore dhe akademike mbarëshqiptare.

“Aktivitetet do të fillojnë nesër në Institut me ligjeratë të David Hoselflog, i cili ka zbuluar notat e alfabetit të gjuhës shqipe që do të jetë një prurje e jashtëzakonshme, një lajm i rëndësishëm për të gjithë shqipatrët, meqë pas 110 vitesh, po zbulohen notat e alfabetit”, tha Asani.

I pranishëm në konferencën për mediat ishte edhe violinisti Shkëlzen Doli, i cili premtoi një performancë e cila do të kënaqë publikun, sepse siç tha, do të ekzekutohen kompozime të autorëve më të famshëm botërorë.

Lidhur me shënimin e Ditës së Alfabetit, është vendosur në funksion ueb faqja www.110vjetalfabet.mk ku do të vendosen të gjitha faktet historike për unifikimin e alfabetit por edhe përmbajtje tjera nga letërsia shqipe. aa

Nikolla Gruevski fiton azil në Hungari, Shkupi kërkon ekstradim

Isuf Kadriu

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski përmes një postimi në Facebok ka bërë të ditur se autoritetet hungareze kanë pranuar kërkesën e tij për azil politik në këtë vend.

“Sot, Republika e Hungarisë, si vend anëtar i BE-së dhe NATO-së, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës sime të parashtruar më parë me kërkesën për status politik për shkak të ndjekjes politike në Republikën e Maqedonisë. Në kërkesën për azil politik kanë theksuar se të njëjtën e kërkoj për shkak të ndjekjes politike nga Qeveria e re e udhëhequr nga partia LSDM….Unë nuk kam ikur nga drejtësia, por duke shfrytëzuar metoda tjera demokratike ndërkombëtare vazhdoj të kërkoj drejtësinë për mua dhe të gjitha viktimat tjera të ndjekjes politike në Maqedoni”, ka shkruar veç tjerash Gruevski duke akuzuar Qeverinë për siç ka thënë, kaos, politizim të gjyqësorit, rrënimin e shtetit juridik, rrezikimin e interesave kombëtare dhe shtetërore.

Njoftimi i Gruevskit vjen vetëm disa çaste pasi Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë i ka dërguar autoriteteve të Hungarisë kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Kërkesa për ekstradim mbështetet në vendimin e Gjykatës Penale të Shkupit, e cila e ka dënuar Gruevskin me dy vjet burgim, për shpërdorimit të detyrës zyrtare, por edhe për katër procese tjera gjyqësore që po zhvillohen kundër tij

“Republika e Maqedonisë kërkon që personi, Nikolla Gruevski të ekstradohet dhe duke marrë parasysh seriozitetin e veprave penale, kërkojmë që i njëjti të ndalohet dhe të mbahet në paraburgim për faktin se kundër të njëjtit është shpallur edhe fletarrest ndërkombëtar”, është në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë duke hedhur poshtë pretendimet e ish-kryeministrit Gruevski se ndaj tij ka pasur kërcënime për jetë.

“Nikolla Gruevski është mbrojtur në liri dhe në asnjë procedurë gjyqësore nuk i ishte shqiptuar masa e paraburgimit. Kishte të angazhuar më shumë avokatë sipas përzgjedhjes së tij me të cilët kishte komunikime duke i shfrytëzuar të gjitha të drejtat në bazë të ligjit për procedurë penale. Republika e Maqedonisë është shtet i sigurt dhe nuk ndodhet në asnjë konflikt të brendshëm apo ndërkombëtar, që do të vinte në rrezik jetën dhe integritetin e ndonjë personi. Si ish-kryeministër i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka pasur edhe sigurim personal prej gjashtë pjesëtarëve të MPB-së, që i takojnë në bazë të ligjeve në fuqi. Gjithashtu theksojmë faktin se Gruevski asnjëherë nuk ka paraqitur ndonjë rast kërcënimi për jetën e tij”, është thënë në komunikatën e dikasterit të drejtësisë duke mohuar gjithashtu pretendimet e të arratisurit se ndaj tij ka pasur ndjekje me motive politike.

“Asnjë nga veprat për të cilat Nikolla Gruevski është dënuar apo janë në procedurë gjyqësore nuk paraqet vepër politike apo vepër penale ushtarake, përkatësisht asnjë nga to nuk parashihet në konventën evropiane për ekstradim si vepra për të cilat mund të refuzohet ekstradimi. Të drejtat e Nikolla Gruevskit në çdo moment janë siguruar përfshirë edhe të drejtën e mbrojtjes para organeve gjyqësore, në përputhje të plotë me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive”, ka vlerësuar Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë.

Duke komentuar njoftimet e mediave hungareze se ish-kryeministri, Nikolla Gruevski tashmë ka fituar të drejtën e azilit, ministrja maqedonase, Renata Deskoska ka thënë se pavarësisht kësaj, kërkesa për ekstradim veçse është dorëzuar.

“Procedurat për azil zgjasin shumë, vetëm nëse nuk kanë zbatuar ndonjë procedurë jashtëzakonisht të shpejtë”, ka deklaruar ministrja Deskoska.

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski është arratisur javën e kaluar drejt Hungarisë.

Autoritetet e Maqedonisë kanë qenë në kërkim të tij, pasi ai është dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Maqedonia notë proteste ndaj Hungarisë, kërkon ekstradimin e ish-kryeministrit Gruevski

SHKUP – Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë ka thirrur në takim ambasadorin hungarez, Laszlo Istvan Dux, mbi informacionet e fundit në lidhje me arratisjen e ish-kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski dhe kërkesën e tij për azil në Hungari.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë njofton se ambasadori hungarez është thirrur në takim me sekretarin maqedonas shtetëror, Viktor Dimovski, ndërsa qëllimi i takimit ishte dorëzimi i një note proteste nga ana maqedonase në anën hungareze.

“Dimovski ka shprehur shpresë se Hungaria në këtë rast do të veprojë në frymën e marrëdhënieve të mira bilaterale, në vlerat dhe parimet evropiane që lidhen me sundimin e ligjit dhe në këtë kontekst, pa vonesë do të refuzojë kërkesën për marrjen e statusit të azilit të të dunuarit dhe të arratirusirt nga drejtësia, Nikolla Gruevski, si dhe të njëjtin do t’ia dorëzojë Maqedonisë për ekzekutimin e dënimit me burg, si dhe për vazhdimin dhe kompletimin e procedurave të tjera ligjore kundër tij”, thotë Ministria e Punëve të Jashtme.

Kujtojmë se ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili u dënua me dy vjet burg e që duhej të vuante dënimin, në profilin e tij në Facebook shkroi se ndodhet në Budapest dhe se ka kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze.

Për Gruevskin të hënën e kaluar u lëshua flet arrest nacional për ta dërguar në vuajtje të dënimit me burg prej dy vitesh për rastin “Tanku” lidhur me furnizimin e automjetit luksoz “Mercedes” në vlerë prej 570 mijë euro, ndërsa një ditë më vonë, pas njoftimit të tij në Facebook se ndodhet në Budapest, Maqedonia lëshoi flet arrest ndërkombëtar ndaj tij. aa

Kush e ndihmoi Gruevskin të arratiset? (tabela)

Isuf Kadriu

Derisa institucionet po përgatisin dokumentacionin me kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski nga Hungaria, prej nga kishte njoftuar se ka kërkuar azil politik, nga ana tjetër në opinion qarkullojnë hipoteza të ndryshme përfshirë edhe atë nëse Gruevski është ndihmuar gjatë arratisjes nga vetë institucionet apo nëse paraprakisht ka pasur marrëveshjes mes tij dhe Qeverisë aktuale.

Kjo dilemë ngrihet për faktin se ish-kryeministri nga e dita e premte, 9 nëntor, ishte i pakapshëm nga organet e rendit dhe të drejtësisë për t’iu dorëzuar vendimi për vuajtjen e dënimit, ndërsa ditët e fundjavës, më 10 dhe 11 nëntor nuk kishte asnjë aktivitet në kërkim të tij, për të vazhduar me pas të hënën (12 nëntor)me shpalljen e fletarrestit fillimisht vendor dhe më pas edhe ndërkombëtar, por vetëm pas njoftimit të autoriteteve të Shqipërisë dhe të Malit të Zi se ish-kryeministri i Maqedonisë përmes territoreve të tyre ishte arratisur për në Hungari.

Mediat shqiptare duke u thirrur në burime të policisë shqiptare kanë njoftuar se Gruevski në Shqipëri ka hyrë ilegalisht më 11 nëntor afër Dibrës, derisa autoritetet maqedonase ende nuk kishin shpallur fletarrestet.

“Vëmendja në gjithë këtë situatë duhet të shikohet në atë se pse u lejua që Gruevski të arratiset dhe kush duhet të bartë përgjegjësi, e jo ajo si iku dhe ku fshihet. E gjithë kjo që tani po ndodh është vetëm shpërqendrim i vëmendjes, që shkon në interes të shmangies së përgjegjësisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të organeve gjyqësore”.

“Sikur të ngritet çështja se pse iku, atëherë do të duhet të kërkohet përgjegjësi nga policia dhe gjyqësori që nuk kanë vepruar me kohë, që nga caktimi i masës së paraburgimit e deri te shpallja me kohë e fletarrestit apo ndalimin e tij në momentin e refuzimit të kërkesës për shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg”, thotë Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci, duke ngritur dilemën nëse në gjithë këtë arratisje kanë gisht autoritetet për të ndihmuar arratisjen e tij në emër të qetësimit të situatës politike, por edhe të ndonjë pazari të mundshëm për të kaluar me më pak probleme zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

Bllagoja Markovski, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se është e absurde të mendohet se organet e sigurisë nuk kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të Gruevskit nëse kemi parasysh fuqinë e tij gjatë qeverisjes me vendin.

“Ministria e Punëve të Brendshme duhej patjetër që të dispononte të dhëna se si po përgatitej të arratisej dhe si duhej ajo t’i ndiqte lëvizjet dhe gjithë atë që po përgatiste Gruevski. Duke marrë gjithë këtë parasysh, vlerësoj se strukturat e Ministrisë së BHrendshme nuk mund t’i ikin përgjegjësisë për këtë rast”, thotë Markovski.

Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë se rasti me Gruevskin është dëshpërues për të gjithë ata që kanë pritur ndryshime në vend, në kuptimin e sundimit të ligjit dhe nxjerrjen para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

“Unë mendoj se ajo çfarë është e rëndësishme ka të bëjë me atë që Gruevski të kthehet në vend dhe të përfundojë pas grilave, pasi nga kjo varen gjithë proceset e mëtutjeshme. Qytetarët janë të zhgënjyer që iu dha mundësia atij, apo një mentaliteti dhe një doktrine, që të largohet nga Maqedonia pa një therë në këmbë dhe të mbeten pa u ndëshkuar. Mendoj se këtu duhet të përqendrohemi në ditët në vijim”, thotë Sinani.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka thënë para mediave se institucionet kanë vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe se përgjegjësi do të ketë, përfshirë edhe veten e tij, nëse konstatohen lëshime në ndonjë segment të pushtetit.

Ish-kryeministri i arratisur, Nikolla Gruevski disa herë kishte deklaruar se asnjëherë nuk do t’i ikë përgjegjësisë dhe se do të përballet me gjyqësorin, pavarësisht, siç kishte thënë, ndjekjes së tij politike. Por, menjëherë pas shqiptimit të dënimit me dy vjet burg dhe refuzimit të ankesave për shtyrjen e vuajtjes së dënimit, Gruevski u arratis nga vendi në drejtim të Hungarisë, që gjithashtu nuk vlerësohet si destinacion i rastësishëm, duke marrë parasysh lidhjet e tij që fuqishme me kryeministrin, hungarez, Viktor Orban.

Arratisja e Gruevskit, dyshime për përfshirjen e Mickovskit

Ekstradimi i Gruevskit nga Hungaria do të kërkohet përmes Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar. Kjo pasi dy vendet nuk kanë marrëveshje për ekstradim. Pavarësisht kësaj, ende nuk dihet nëse Nikolla Gruevski vazhdon të qëndrojë në Hungari, apo ka vazhduar rrugën për të gjetur strehim në ndonjë shtet tjetër, raporton Alsat-M.

Përkundër tentimit të televizionit të Shkupit për të mësuar nëse Gruevski ka lëshuar Budapestin, autoritetet hungareze mbeten pa përgjigje.

Derisa Ministria e Brendshme heton mënyrën e arratisjes së Gruevskit dhe nëse i njëjti është ndihmuar nga pjesëtarë të policisë, LSDM-ja në pushtet dyshon se në organizimin e ikjes së Gruevskit ka pasur gisht edhe kryetari aktual i VMRO-DPMNE-së, Hrisjan Mickovski.

Vetë Mickoski në një emision debativ pati thënë se ka pasur takim me Nikolla Gruevskin në të cilin kanë diskutuar rreth ardhmërisë së Nikolla Gruevskit. Nga këtu kanë filluar dyshimet se ndoshta Hristjan Mickoski ka ndihmuar në organizimin e arratisjes së Gruevskit. Unë pres që përgjigje në pyetjen tuaj të jap vetë Mickoski i cili ditëve të fundit nuk po paraqitet në opinion”- theksoi Konstandin Konstadinov, deputet i LSDM-së.

Në paraqitjen e parë para publikut që pas arratisjes së Gruevskit, kreu i VMRO-së Mickovski nga Gostivari tha mbrëmë se nuk e mbështetë aktin e arratisjes por shtoi se Gruevski është viktimë e persekutimit politik.

Dua të apeloj deri tek kryeministri që të vetëdijesohet dhe seriozisht ta kuptojë gjendjen sepse mijëra jetë varen nga hapat e tij dhe për këtë jo që nuk e udhëheq shtetin në drejtimin e duhur, por është e gabueshme dhe do të duhet që shumë gjenerata ta drejtojnë atë”- tha Hristijan Mickovbski, kryetar i VMRO DPMNE-së.

Gruevski u arratis në kohën kur duhej të pranonte letrën e cila do e dërgonte në burg, për vuajtjen e dënimit 2 vjeçar, për blerjen e Mercedesit luksoz. Në Hungari ai arriti nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Së fundmi kryeministri Zaev në emisionin  350 gradë në Alsat M u shpreh optimist se ish kryeministri Gruevski herët apo vonë do të kthehet në Maqedoni dhe do të vuajë dënimin.

Zaev: Gruevski ndoshta është rrëmbyer!

Isuf Kadriu

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, thotë se institucionet po hetojnë mënyrën e arratisjes se ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, lëshimet e mundshme eventuale nga ana e zyrtarëve të caktuar dhe pasi të jenë siguruar të gjitha informacionet relevante, do të njoftohet opinioni me detajet dhe masat që do të ndërmerren.

Kryeministri tha se institucionet janë njoftuar nga autoritetet e Shqipërisë dhe Malit të Zi, se ish-kryeministri Gruevski i ka shfrytëzuar territoret e tyre për t’u arratisur nga Maqedonia në drejtim të Hungarisë.

Por, Zaev në një paraqitje para mediave, ka hapur edhe dilemën nëse Gruevski vullnetarisht ka lëshuar vendin, apo ndoshta edhe është kidnapuar, sipas tij.

“Çdo ambasadë është eksterritorialitet, përkatësisht është territor i një shteti tjetër, çdo veturë diplomatike, çdo avion varësisht se cilin flamur bart është eksterritorialitet ku nuk mund të veprojnë policia apo institucionet tjera. Nga ky aspekt, ngremë dilemën nëse ai këtë e ka bërë vullnetarisht apo është kidnapuar. Përgjigja e kësaj pyetjeje do të japë shumë përgjigje, të cilat meritojnë t’i dinë qytetarët tanë”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Ai ka theksuar se do të ketë përgjegjësi nëse hetimet që kanë nisur, dëshmojnë se ndonjë institucion apo individ është i përfshirë apo ka ndihmuar arratisjen e Gruevskit.

“Nëse përcaktohet përgjegjësi, me siguri se do të kërkoj llogari nga kushdo qoftë ai, përfshirë edhe mua si kryeministër, pasi opinioni këtë mund ta kërkojë në çdo moment. Unë, në të gjitha proceset kam qenë transparent dhe ashtu do të jetë edhe në të ardhmen. Ligji vlen për të gjithë njësoj”, ka thënë Zaev duke i bërë edhe një herë thirrje autoriteteve hungareze që të marrin seriozisht kërkesën që po përgatitet për ekstradim.

“Lufta për sundimin e ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë imperativ në Maqedoni dhe në emër të kësaj qytetarët duhet ta dinë se do të bëjmë gjithçka që Gruevski të sillet këtu dhe ta vuajë dënimin me burg. Hungaria është mike jona, ajo po vazhdon të na mbështesë në aspiratat euro-integruese. Të gjithë dokumentacionin e duhur për ekstradim do ta bëjmë gati dhe do t’ua dorëzojmë autoriteteve të atjeshme, por edhe zyrtarëve të BE-së që të njihen me procedurat që të mos rrënojnë raportet me asnjë shtet anëtar të BE-së”, ka theksuar Zaev.

Policia shqiptare të enjten ka bërë të ditur se ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka përdorur territorin shqiptar në rrugëtimin e tij drejt Hungarisë .

“Shtetasi Nikolla Gruevski më datë 11.11.2018, në orën ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë. Në datën 11.11.2018 për shtetasin Nikolla Gruevski nuk ka pasur asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim. INTERPOL-Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19:35 i ka dërguar INTERPOL- Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”, thuhej në njoftimin e policisë shqiptare.

Edhe autoritetet e Malit të Zi kanë bërë të ditur hyrjen e Gruevskit në territorin e saj dhe kalimin e tij më pas në territorin e Serbisë me një makinë, në të cilën, sipas mediave në Podgoricë, ka qenë edhe një diplomat i Ambasadës hungareze.

Pala mbrojtëse e ish-kryeministrit, ndërkohë ka bërë të ditur se Nikolla Gruevski nuk i ka ikur drejtësisë, por kërcënimeve për jetën e tij dhe se klienti i tyre në çdo moment është i gatshëm për të dëshmuar pafajësinë.

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës, u arratis të martën drejt Hungarisë ku ka paraqitur kërkesën për azil politik.

Maqedoni: Arrestohen dy bashkëpunëtorë të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski

Në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës është arrestuar ish-ministri i Transportit në Maqedoni, Mile Janakievski si dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Kiril Bozhinovski, të cilët kanë mbajtur këto pozita kur partia opozitare, VMRO DPMNE-së ka qenë në pushtet.

Vendimin për arrestimin e Janakievskit dhe Bozhinovskit e ka bërë të ditur Gjykata Penale me kërkesë të Prokurorisë Speciale Publike.

Që të dyve u është përcaktuar masë paraburgimi prej 30 ditësh për shkak mundësisë që të ikin nga shteti.

Ish-ministri Mile Janakievski dhe Kirill Bozhinovski akuzohen për disa vepra, për të cilat është duke vazhduar procesi gjyqësor bashkë me ish-kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski.

Arrestimi i tyre vjen pas arratisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nga Maqedonia.

Gruevski kërkon azil politik në Hungari

Ai ka njoftuar të martën që gjendet në Hungari, vend në të cilin ka kërkuar azil politik.

Statusi i Nikolla Gruevskit në Facebook: Kam kërkuar strehim politik në Hungari

Një status në faqen e Facebook-ut të ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, pretendon se ai ndodhet në Hungari ku po kërkon strehim politik, por autoritetet e rendit dhe organet hetuese janë duke parë nëse statusi është shkruar nga ai vetë apo dikush tjetër.

Në disa ditë të fundit mora kërcënime të shumta me jetë. Tash jam në Budapestë dhe kam kërkuar strehim politik nga autoritetet hungareze. Gjithmonë do të mbetem besnik ndaj kauzës për Maqedoninë. Asnjëherë nuk do të tërhiqem”, shkruhet në statusin e Fejsbukut të Nikolla Gruevskit.

Zoti Gruevski, deputet i parlamentit të Maqedonisë ndodhet në arrati dhe është shpallur në kërkim nga Ministria e Punëve të brendshme e vendit, e cila ka lëshuar një fletë-arresti për të.

Organet e rendit thonë se ish-kryeministri nuk është larguar nga vendi përmes vend-kalimeve zyrtare kufitare. Atij i është konfiskuar pasaporta prej para më tepër se një viti, që kur filluan proceset gjyqësore kundër tij.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ndërkaq, ka fajësuar gjykatën penale “që nuk i caktoi Gruevskit masën e paraburgimit, duke ditur se ai mund të arratisej”.

Policia ka kontrolluar mbrëmë banesën e zotit Gruevski në Shkup dhe ka ndaluar shumë makina që dilnin nga një garazh pranë selisë së VMRO-DPMNE-së për të kontrolluar nëse ai fshihej brenda tyre. Autoritetet e rendit po presin të marrin urdhërin nga gjykatat për ta kontrolluar edhe selinë e partisë më të madhe opozitare të quajtur “Pallati i bardhë”.

Nikolla Gruevski duhet ta vuajë dënimin prej dy vjetësh burg për shkak për ushtrimit të ndikimit për blerjen përmes një tenderi të jashtligjshëm të një makine Mercedes të blinduar me një shumë prej rreth 600 mjë eurosh, para të buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga ana tjetër, kundër tij zhvillohen edhe katër procese paralele gjyqësore nën akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion, veprime të jashtëligjshme dhe vepra penale.

Fletarrest për Nikolla Gruevskin

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë lëshoi fletarrest për ish-kryeministrin e këtij vendi, Nikolla Gruevski, pas njoftimit nga Gjykata Penale se nuk ka mundur ta gjejë atë për t’i dorëzuar vendimin për t’u paraqitur në burg.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore e Shkupit ka dhënë urdhër për arrestimin e Nikolla Gruevskit dhe të hënën, në orën 16:30, ka dorëzuar në Sektorin për Punë të Brendshme në Shkup urdhrin e arrestit. Menjëherë pas dorëzimit, policia vepron sipas kërkesës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Gruevski duhej personalisht të pranonte vendimin për nisjen e vuajtjes së dënimit prej dy vjetësh burgim për shpërdorim të detyrës në rastin e blerjes së makinës luksoze qeveritare, në vlerë prej 600 mijë eurosh.

Në disa media në gjuhën maqedonase është spekuluar mbi mundësinë e largimit të tij nga Maqedonia, por kjo nuk është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Para se t’i refuzohet kërkesa për shtyrjen e vuajtjes së dënimit, Kuvendi i Maqedonisë nuk ka arritur të sigurojë dy të tretat e votave për t’i hequr mandatin Gruevskit, tani deputet.

Gruevski po gjykohet edhe në disa procese tjera gjyqësore për shpërdorime të tjera të detyrës zyrtare, për mashtrime zgjedhore, dhunë të porositur ndaj ish-drejtuesve të opozitës në një komunë të Shkupit, e keqpërdorime financiare.

Partitë shqiptare insistojnë që gjuha shqipe të figurojë në Kushtetutë

Zërijeta Hajro Jajaga

Refuzimi i shumicës parlamentare, që të diskutohet për amendamentet e propozuara nga opozita shqiptare, lidhur me ndryshimin e një përkufizimi në Kushtetutë që ka të bëjë me gjuhën shqipe, ka nxitur reagime të shumta.

Opozita shqiptare në Maqedoni po kërkon që përkufizimi “gjuha të cilën e flet bashkësia etnike prej 20 për qind”, të modifikohet dhe të precizohet se ka të bëjë me gjuhën shqipe.

Ata thonë se kur maqedonasve u jepet e drejta të mbrojnë identitetin e tyre, atëherë është e padrejtë që kjo t’i mohohet shqiptarëve të cilët nuk po kërkojnë asgjë më shumë se sa të saktësohet në Kushtetutë se shqiptarët janë autokton dhe se gjuha shqipe është zyrtare, ashtu siç është e përcaktuar me amendamentin 7 të Kushtetutës, por si gjuhë që e flasin së paku 20 për qind e popullatës.

Neni 7 i Kushtetutës së Maqedonisë, ku flitet për gjuhën të cilën e flasin “20 për qind” e popullsisë së Maqedonisë.

Arsim Sinani nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike për Radion Evropa e Lirë thotë se tani është momenti më i volitshëm që të mbyllet kapitulli sa i përket zyrtarizmit të plotë të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe jo siç aktualisht është e definuar si gjuhë që e flasin të paktën 20 për qind e popullatës në Maqedoni.

“Mendoj se është momenti i duhur për t’u mbyllur çështja e zyrtarizmit të plotë të gjuhës shqipe, për shkak se kjo do të paraqiste një sinjal se marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase janë përmirësuar realisht. Kjo do të jepte një sinjal inkurajues që të dyja komunitet me shumicë në Maqedoni, përkatësisht maqedonasit dhe shqiptarët, të vazhdojnë me ngulm bashkërisht të punojnë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, Sinani.

Partitë politike shqiptare në opozitë, me votat e të cilëve u mundësua që të kalonin ndryshimet kushtetuese në Parlamentin e Maqedonisë, kanë kërkuar që gjuha shqipe të përfshihet në Kushtetutë si gjuhë zyrtare dhe jo gjuha që e flasin 20 për qind e popullatës.

Këtë kërkesë, shumica parlamentare, por edhe vetë kryeministri I Maqedonisë, Zoran Zaev e ka hedhur poshtë, nën arsyetimin se amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës duhet të përfshijnë vetëm çështjet që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Prespës, përkatësisht marrëveshjen që arriti Maqedonia me Greqinë për të mbyllur kontestin rreth çështjes së emrit.

Shpëtim Pollozhani nga ish-shoqata e të burgosurve politik, i cili njëherësh përfaqëson dhe Forumin e Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni, thotë se kërkesa e partive politike shqiptare në opozitë është hedhur poshtë për shkak të mosartikulimit me këmbëngulje të kërkesës që në Kushtetutë saktësisht të përkufizohet se edhe gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, krahas asaj maqedonase.

“Partitë politike shqiptare në opozitë po mbajnë një qëndrim të vakët, gjë që e ka lexuar Zaevi (kryeministri i Maqedonisë), prandaj dhe po luan ‘majtap’ (bën shaka) me partitë opozitare. Partitë politike në opozitë nuk janë konsekuente në qëndrimet e tyre, nuk lënë aspak përshtypjen se janë të vendosura të ndërmarrin ndonjë hap më radikal, sikurse mund të jetë refuzimi i mbështetjes së amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës”.

“Pra, faji kryesor është te moskonsekuenca e partive politike shqiptare, mungesa e vizionit, mungesa e partive politike serioze, përkatësisht ne kemi parti politike që bëjnë pazare ditore si ujku, ‘nëse del diçka hanë, nëse jo ngordhin’, përkatësisht shuhen”, thotë Pollozhani.

Në bazë tëpropozimeve të Qeverisë do të ndryshohen katër amendamente të Kushtetutës si dhe preambula, me ç’rast shteti emërtohet “Maqedonia e Veriut”, konform Marrëveshjes me Greqinë të arritur më 17 qershor në Prespë, përmes së cilës synohet të zhbllokohet procesi i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Zoran Zaev, shumica e shqiptarëve ju lexuan! – Nga Alisetar Ramadani

Zoran Zaev nuk ke ti çka flet për lojalitetin e shqiptarëve në tokat e tyre mijëvjeçare! Më parë tregoni ju lojalitet që Maqedonia t’i përket popullit autokton gjegjësisht shqiptarëve ashtu si që trajtohen popujt autokton kudo në shtetet e civilizuara.

Përveç asaj që ua përmendi deputeti Gjorçev, publikisht ju ftoj që oratorinë tuaj ta shndërroni në vepër, e ajo është: urdhëroni e pranoni amendamentet e opozitës shqiptare Besa dhe Aleanca të cilat në të njëjtën kohë janë edhe amendamente të diasporës shqiptare sepse ne i mbështesim plotësisht, që një herë e përgjithmonë të mbyllim kapitullin ndëretnik dhe të çojmë vendin përpara me ekonomi!

Nëse ata amendamente qenkan në kundërshtim me marrëveshjen e Prespës për të cilët flasin tellallët tuaj në bashkëqeverisje, por edhe disa eksponentë të partisë suaj, atëherë urdhëroni ofroni 30 deputet tuaj dhe nisni ndryshimin e kushtetutës së vendit, që të shohim në vepër “kujdesin” që paskeni për shqiptarët ju dhe vmro dpmne?! Që të shohim në vepër sa jeni ju dhe ata te vmro dpmne-së të gatshëm të pranoni shtetin si shtet i shqiptarëve dhe maqedonasve?
Kjo është zgjidhja më e padhembshme e mundshme për momentin për Maqedoninë.

Ndryshe me dashje apo pa dashje, ju dhe vmro dpmne e pranuat një të vërtetë të madhe se shqiptarët me dekada kanë qenë të diskriminuar, të keqtrajtuar, mjet për inskenime “armiqësore” për të mbajtur pushtetin ju dhe ata që ua kanë dhënë legjitimitetin e pa pasur nga shqiptarët! Më shkurt, popull me të cilin keni bërë eksperimente ashtu si keni dashur ju!

Ju dhe vmro dpmne me vetëdije ose jo, pranuat se ky shtet asnjëherë nuk ka funksionuar vërtetë si shtet, por si një vend ku drejtësia ka funksionuar sipas dëshirave të oligarkëve e jo sipas ligjit!

Ju me vetëdije ose jo e pranuat se keni qenë shumë të kujdesshëm kur keni sjellë ligje mono etnike sepse keni pasur shumicën parlamentare gjithmonë prej se u konstituua shteti në vitin 1991 dhe praktikisht keni bërë si keni dashur ju deri më sot, prandaj kjo përplasje e juaj me deputetin Gjorçev i nxjerr të gjitha këto në pah!

Hipokrizia juaj vihet re te ndryshimi i preambulës, ju nuk doni që shteti të quhet qytetar por doni që shteti të jetë i maqedonasve dhe…!

Të gjitha këto që i përmenda më lartë ua ka mundësuar puna juaj perfide mono etnike ndër vite, sepse asnjëherë nuk keni marrë guximin të organizoni regjistrim të popullsisë ashtu si duhet, ashtu si kërkojnë normat civilizuese Evropiane, dhe pastaj të organizoni zgjedhje të drejta me standarde Evropiane!

Na kurseni nga oratoria e shteti të barabartë qytetarë sepse ne jetojmë në aso shtete dhe bile edhe si të huaj nuk jemi të diskriminuar si që janë familjarët tanë atje në vendlindje. Ne mund të ju japim ligjërata si duket një shtet qytetar i barabartë për të gjithë qytetarët e saj!

Në këso rrethanash si funksionon ai vend, ne nuk ju besojmë më, ai vend duhet të ndryshon si duam edhe ne ose duhet të vihet nën protektorat ndërkombëtar Gjermano – Amerikan.

31.10.2018

Opozita shqiptare kërkon amnisti për të gjithë

Partitë e opozitës shqiptare në Maqedoni kanë kundërshtuar propozim-ligjin e amnistisë të VMRO-DPMNE-së për ngjarjen e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 prill të vitit të kaluar.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se në rast të një amnistie të mundshme, atëherë ajo duhet të përfshijë edhe rastet tjera që janë të ndërlidhura me pushtetin e kaluar, e ku viktima apo të dënuar me burg janë shqiptarët.

“Konsiderojmë se të gjitha rastet e montuara të regjimit të kaluar të përfshihen në një ligj eventual të amnistisë. Siç e dimë shumë shqiptarë si në rastet ‘Sopoti’, ‘Alfa’, ‘Monstra’, ‘Kumanova’ dhe raste tjera më të vogla, janë si rezultat i proceseve të montuara nga regjimi i kaluar. Ata sot i kemi të dënuar me burgime të përjetshme, ndërsa opinioni nuk ka dëgjuar asnjë dëshmi të besueshme mbi fajësinë e tyre. Konsideroj se nëse mund të flitet për ndonjë amnisti, atëherë ajo patjetër që duhet të jetë gjithëpërfshirëse”, thotë Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët, duke shtuar se amnistia eventuale vetëm për 27 prillin është absolutisht e papranueshme, pasi kjo, sipas tij, do ishte precedentë që mund të përsëritej edhe në të ardhmen.

“Grupe të caktuara në periudha të caktuara në të ardhmen për një arsye apo motivi tjetër mund të ndërmarrin iniciativa të tilla për të sulmuar rendin kushtetuese. Në asnjë mënyrë nuk duhet të tolerohen mënyra anti-ligjore dhe organizime joformale për marrjen e pushtetit”, ka thënë tutje Aziri.

Forma e amnistisë e propozuar nga VMRO-ja, por edhe ajo e pajtimit kombëtar e propozuar nga kryeministri, Zoran Zaev kundërshtohet edhe nga njëri krah i Lëvizja Besa, e cila vepron në opozitë. Ajo vlerëson se çdo ndërhyrje në sistemin e drejtësisë do të kishte pasoja ndaj rendit juridik dhe pritjes së qytetarëve për sundimin e ligjit. Deputeti Fadil Zendeli thotë se pajtimi është i mirëseardhur, por duhet gjetur forma tjera gjithëpërfshirëse përmes realizimit të drejtave të të gjithë qytetarëve, qofshin ato individuale, etnike apo kolektive.

“Vlerësoj se nuk duhet amnisti në Maqedoni. Të gjithë ata që në çfarë do mënyre e kanë shkelur ligjin duhet të përgjigjen. Por, kuptohet se duhet të kemi sistem të drejtësisë të drejt, profesional, me qëllim që qytetarët të cilët kanë probleme me drejtësinë, të mund ta gjejnë atë kurse ata që kanë shkelur ligjin të marrin dënimin e merituar”, ka deklaruar Zendeli.

Amnistia e VMRO-DPMNE-së është kundërshtuar edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e Qeverisë së bashku me LSDM-në e kryeministrit, Zoran Zaev. Kreu i Qeverisë ka thënë se një propozim i tillë paraqet ndërhyrje në punën e gjyqësorit, ndërsa si formë tjetër për kapërcimin e 27 prillit ka propozuar falje dhe pajtim kombëtar, megjithatë pa saktësuar se çfarë nënkupton ajo, ndërhyrjen në gjyqësor për të rikualifikim të veprës apo miratim të ndonjë zgjidhjeje tjetër ligjore.

Për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”, po gjykohen 30 persona, gjashtë prej tyre deputetë të VMRO-DPMNE-së, disa personalitete tjera, si aktorë, pjesëtarë të policisë, të sigurimit të Kuvendit dhe protestues të thjeshtë, të cilët më 27 prill 2017 kishin ndërhyrë në Kuvend në shenjë pakënaqësie pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për Kryetar të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë nga LSDM-ja me partitë shqiptare. Nga dhuna në Kuvend më së rëndi e kishin pësuar Zijadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, kreu i atëhershme i opozitës, tani kryeministër, Zoran Zaev dhe zyrtarë tjetër të partisë së tij social-demokrate.

Maqedoni, gjatë tetë viteve të fundit janë vrarë 70 gra

SHKUP – Në periudhën 2008-2016 në Maqedoni janë vrarë 70 gra, prej të cilave 51 raste kanë arsye për t’u kualifikuar si vrasje femicide, tha Elena Dimushevska, drejtoresha ekzekutive e Rrjetit kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare.

Duke iu referuar analizës, Dimushevska theksoi se mbi 80 për qind e grave që janë vrarë në Maqedoni, janë vranë nga ana e partnerëve intimë, pa marrë parasysh në jetë martesore ose jashtë martesore.

“Gratë vriten në shtëpitë e tyre, në shtëpitë ku ata duhet të jenë më të sigurta dhe vriten nga partnerët ose anëtarët e familjes, nga ata që duhet t’i mbrojnë”, u shpreh Dimushevska, duke shtuar se numri më i madh i vrasjeve janë kryer me armë, që kryesisht ishin të paligjshme.

Në promovimin e publikimit u adresua edhe ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Oliver Spasovski, i cili tha se ky promovim është hapi i parë për të marrë masa në të ardhmen për të zvogëluar dhe për të parandaluar raste të tilla të dhunës në familje.

“Është e qartë se duhet të arrihet në ndryshimet në Kodin Penal të cilat do të përcaktojnë krimin si çështje juridike penale në mënyrë që të lejojë institucionet për të vepruar, por shumë më e rëndësishme është si krijojmë një sistem të parandalimit”, theksoi Spasovski,

Ndërkaq, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, tha se dhuna ndaj grave në Maqedoni nuk është çështje e një institucioni, por është çështje kombëtare dhe çështje e të gjithë qytetarëve.

“Prandaj Qeveria e Maqedonisë në Kuvend menjëherë pas ardhjes së qeverisë e propozoi ratifikimin e Konventës së Stambollit, por nuk ratifikuam vetëm Konventën e Stambollit, por kemi bërë edhe një plan operativ për zbatimin e saj me hapa konkrete dhe masat për çdo institucion”, tha ministrja Carovska.

Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe përfaqësuesja e Programit për Zhvillim të OKB-së në Maqedoni, Louisa Vinton, tha se janë krenarë që kanë mundësuar mjete dhe vrull për zhvillim të këtij studimi.

Femicidi identifikohet globalisht si shkaku kryesor i vdekjes së parakohshme të femrave. Nën termin femicid zakonisht kuptohet vrasje me paramendim të gruas, por përkufizimet më të gjera përfshijnë të gjitha vrasjet e grave apo vajzave. aa

Ndryshimet kushtetuese, opozita me amendamente për gjuhën shqipe

Mural në Shkup – Foto ilustruese

Ndryshimet kushtetuese që pritet të miratohen për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për ndërrimin e emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut, kanë aktualizuar kërkesat e opozitës shqiptare për ndërhyrje edhe në disa nene tjera të Kushtetutës me qëllim, siç thonë ata, avancimin e pozitës shqiptare në shtet.

Në Kushtetutën aktuale gjuha shqipe askund nuk përmendet si gjuhë e dytë zyrtare, por si gjuhë e ndryshme nga maqedonishtja, e të cilën e flasin mbi 25 për qind e popullatës në vend. Veç kësaj, në preambulë, shqiptarët përmenden si pjesë e popullit shqiptar që jeton në Maqedoni dhe jo si popull autokton, apo shtet-formues siç kërkojnë partitë opozitare.

Aleanca për Shqiptarët që drejtohet nga Zijadin Sela dhe njëri krah i lëvizjes Besa, kërkojnë që këto pjesë të Kushtetutës të ndryshohen dhe qartë të përkufizohet se gjuhë zyrtare në Maqedoni është edhe gjuha shqipe, siç duhet të rregullohen edhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët.

“Ashtu siç ne kemi pasur dhe kemi mirëkuptim për identitetin dhe gjuhën e bashkëqytetarëve tanë, njëjtë edhe deputetët e subjekteve politike maqedonase duhet të kenë mirëkuptim për gjuhën tonë. Gjuha jonë nuk mund të quhet gjuhë e ndryshme nga maqedonishtja, ajo duhet të jetë gjuha shqipe, ashtu siç është dhe ashtu siç i takon. Ne nuk do të heqim dorë nga amendamentet tona dhe me to synojmë që shteti të jetë më i drejtë dhe Kushtetuta të promovojë vlera dhe të japë liri dhe jo t’i sanksionojë ato”, ka deklaruar Sela.

Veç partive opozitare kërkesa të tilla janë paraqitur edhe nga Forumi i intelektualëve shqiptarë dhe diaspora shqiptare.

“Mendoj se është një moment ideal që të faktorizohen deputetët dhe përfaqësuesit tanë politikë dhe jo të shfrytëzohen vetëm si një makineri votuese. Dihet tashmë se cilat janë kërkesat e shqiptarëve dhe unë mendoj se tani është momenti që të hiqet përdorimi i gjuhës shqipe dhe i shqiptarëve në Kushtetutë si popull prej 25 për qind, apo gjuhë të cilën e flasin mbi 25 për qind e qytetarëve në vend”.

“Shqiptarët në Kushtetutë duhet të përfshihen si element konstitutiv i shtetit apo të jenë shtetformues. Kjo arrihet vetëm me një këmbëngulësi dhe bashkëpunim mes subjektit politik shqiptar”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Shpëtim Pollozhani, përfaqësues i intelektualëve shqiptarë.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e Qeverisë, kërkesat e opozitës i kanë quajtur të motivuara për fitimin e pikëve politike, pasi, sipas BDI-së, “amendamente mund të dorëzohen vetëm për nenet që propozohen për ndryshim e jo në nene tjera”.

“Ky folklorizëm i partive të vogla me fjalë të mëdha flet për mungesën e identitetit partiak, politik dhe shfaq mosnjohurinë, mungesën e kreativitetit dhe përpjekjen e dështuar për t’u faktorizuar nëpërmjet derës së vogël…”, thonë nga BDI-ja.

Çështja e mosdefinimit të qartë të gjuhës shqipe në Kushtetutë sikur edhe e Ligjit për përdorimin e saj zvarritet me vite dhe për këtë nga Forumi i Intelektualëve Shqiptarë fajësojnë partitë politike.

Përfaqësuesit shqiptarë në Kuvend nuk kanë një vizion për zgjidhjen e çështjes shqiptare, por ata më tepër janë të orientuar në kërkesat individuale. Ky është problemi më i madh i përfaqësuesve tanë politikë. Pala tjetër e ka mësuar këtë mentaliteti të tyre dhe ua plotëson të gjitha kërkesat por jo edhe kur janë në pyetje ato kolektive, ku ngec çdo gjë”, thotë Pollozhani.

Ai shton se pavarësisht se me Marrëveshjen e Ohrit është e përcaktuar termi 25 për qind, kjo sipas tij mund të ndryshohej sikur partitë të kishin para vetes interesat kombëtare.

Partitë shqiptare në kohën e krizës së thellë politike kishin nënshkruar një deklaratë të përbashkët politike të njohura si “Platforma e Tiranës”, përmes së cilës kërkon zgjidhjen e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, por kjo deklaratë më tepër ka shërbyer për konfrontimin e tyre se sa për zbatimin e angazhimeve, për të cilat ishin marrë vesh.

Ndryshe, Qeveria të hënën pritet të dorëzojë përmbajtjen e amendamenteve kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes së emrit, me të cilat pritet zhbllokimi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Shkupi reagon ndaj Moskës

Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka reaguar të martën pas një shkrese të diplomacisë ruse në lidhje me votimin në parlament para pak ditësh të procedurave për ndryshimet kushtetuese.

Shkupi thekson se reagimi rus ishte i pabazë dhe joreal ndërsa bëhej me qëllim të rrezikimit të procesit politik me domethënie historike për Maqedoninë.

“Deputetët në parlamentin e Maqedonisë me respekt të plotë të të gjitha parimeve demokratike dhe të procedurës së parashikuar parlamentare sollën vendimin që pasqyron angazhimet me dekada të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si përparësi strategjike, për çfarë ekziston një konsensus i gjerë që njihet shumë mirë nga miqtë tanë rusë”, thuhet në reagim.

Ministria maqedonase thekson qëndrimin me përkushtim ndaj integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë, ndërsa nënvizon edhe angazhimet për zhvillimin e miqësisë në të ardhmen me Federatën ruse:

“Në bazë të miqësisë tradicionale të dy popujve tanë dhe respektin e ndërsjellë si dhe për vlerësimin për zgjedhjen e pavarur dhe të lirë të së ardhmes sonë”.

Ministria e Jashtme e Rusisë shkruante se votimi i së premtes në parlamentin e Maqedonisë ishte rezultat i kërcënimeve, shantazhit dhe blerjes së votave.

Rusia nuk dëshiron integrimin e Maqedonisë në NATO ndërsa gjatë muajve të fundit përfaqësues të qeverisë ruse kanë qenë mjaft aktivë në përpjekjet për të penguar proceset, siç ishte referendumi i 30 shtatorit lidhur me ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Një parti, për momentin e parëndësishme maqedonase, e quajtur Maqedonia e Bashkuar, që ngjason me partinë e Presidentit Vladimir Putin, Rusia e Bashkuar, haptazi paraqet qëndrimet pro-ruse dhe përmes protestave është përpjekur ta kundërshtojë referendumin dhe votimin e ndryshimit të emrit të Maqedonisë.

Autoritetet maqedonase kanë reaguar me maturi ndaj paraqitjeve e herë-herë edhe kërcënimeve nga Moska mbi zhvillimet në Shkup. Komuniteti ndërkombëtar, sidomos Amerika, ka dëshmuar mbështetjen ndaj Maqedonisë në rrugën e integrimeve të saj, ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis gjatë vizitës së para disa javëve në Shkup vuri në dukje shqetësimet për përzierjen ruse në proceset demokratike në Maqedoni.

Parlamenti i Maqedonisë e kaloi përmes shumë vështirësishë propozimin për ndryshimin e emrit të vendit në Repubika e Maqedonisë së Veriut, që paraqet kushtin kryesor nga NATO dhe BE për afrimin dhe për anëtarësimin e këtij shteti në këto organizata.

Pas arritjes së dy të tretave të votave për propozimin, pritshmëritë janë që ligjëvënsit në Shkup do të kenë shumicën e kualifikuar edhe gjatë votimit të ndryshimeve kushtetuese, që pritet në muajin janar ose edhe më herët.

Maqedoni, parlamenti miraton propozimin për ndryshimin e emrit

Parlamenti i Maqedonisë miratoi të premten një propozim për të ndryshuar emrin e vendit, duke e sjellë një hap më afër zgjidhjes mosmarrëveshjen shumëvjeçare me Greqinë për këtë çështje.

Tetëdhjetë deputetë në parlamentin me 120 vende votuan në favor të riemërtimit të vendit Republika e Maqedonisë së Veriut, duke arritur shumicën e dy të tretave që nevojiten për të miratuar ndryshime kushtetuese.

Tetë ligjvënës të opozitës maqedonase të drejtuar nga VMRO-DPMNE votuan pro nevojës për ndryshimet kushtetuese që do të çonin në ndryshimin e emrit. Ata janë: Elizabeta Kançevska Milevska, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukovski, Vlladanka Aviroviç, Emilija Aleksandrova, Luben Arnaudov, Nolla Ismailovska Starova dhe Zeqir Ramçilloviç. Por pa votat e partive shqiptare të opozitës, Aleancës për Shqiptarët dhe krahut tjetër të Lëvizjes Besa, nuk do të arrihej shumica e kërkuar.

Votimi u desh të përsëritej pas këmbënguljes së bashkërenduesit të grupit të deputetëve opozitarë maqedonas, Dragan Danevski dhe votimi i herës së dytë u bë në mënyrë publike duke u prononcuar secili ligjvënës në mënyrë individuale.

Ndërkohë, tetë deputetët opozitarë njoftuan se votën e tyre e japin me disa kushte, që janë:

1. Të pranohet një amendament që do të garantojë identitetin maqedonas.

2. Të jepen garanci, nëse Greqia nuk e ratifikon marrëveshjen me Republikën e Maqedonisë, atëherë të anulohen amendamentet që do të miratohen nga parlamenti i Maqedonisë lidhur me ndryshimin e emrit të vendit.

3. Ndryshimi i emrit (në Republika e Maqedonisë së Veriut) të bëhet shkallë-shkallë.

4. Nisma e Kryeministrit Zoran Zaev për faljen e personave të akuzuar në lidhje me ngjarjet e dhunshme në parlament në prillin e 2017-s.

Votimi i vendimit për nevojën e ndryshimeve kushtetuese i hap rrugën përgatitjeve të projekt amendamenteve dhe debatit në parlament.

Qeveria, si propozuese e ndryshimeve kushtetuese ka një afat prej pesëmbëdhjetë ditësh që t’i dorëzojë parlamentit projekt-amendamentet.

Në fazën e fundit, pasi të ketë përfunduar debati dhe të jenë miratuar ose refuzuar amendamentet që mund të paraqiten edhe nga deputetët, duhen dy të tretat e votave të përgjithshme, ose 80 vota gjithsej për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Megjithatë, marrëveshja midis Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë do të jetë e vlefshme vetëm atëherë kur atë ta ketë miratuar edhe parlamenti grek.

Sidoqoftë, votimi i së premtes në mbrëmje në parlamentin e Maqedonisë shikohet si një sinjal se votat e nevojshme janë siguruar dhe ndryshimet kushtetuese do të realizohen.

Kjo do t’i hapte rrugën vendit ballkanik për anëtarësim të shpejtë në NATO dhe për çeljen e bisedimeve me Bashkimin Evropian në qershorin e vitit të ardhshëm.

Kryeministri Zaev, pas procesit të votimit, duke folur në një konferencë për mjetet e informimit e quajti këtë një ditë historike.

“Së bashku e shkruam historinë. Deputetët e opozitës të cilët e dhanë votën, e ndoqën vullnetin e popullit”, u shpreh zoti Zaev duke shpresuar se Maqedonia do të jetë pjesë e familjes evropiane.

Ai përsëriti nevojën për pajtim dhe falje në lidhje me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit, 2017 në parlament.

Tre nga deputetët opozitarë të cilët votuan pro, akuzohen për pjesëmarrje në këto ngjarje, ndërsa një tjetër për shpërdorim të detyrës dhe buxhetit gjatë periudhës sa ishte ministre.

Në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë hapet ekspozita “Unë jam shqiptar”

SHKUP – Në organizim të Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Galerisë Kombëtare të Maqedonisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni sonte në objektin e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë është hapur ekspozita kushtuar diasporës shqiptare ndër shekuj e titulluar “Unë jam shqiptar”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekspozita e cila për tematikë ka emigrimin e shqiptarëve, përfshinë materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj. Ekspozita e njëjtë më herët është paraqitur edhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, si dhe në në atë kosovar, Prishtinë.

SHKUP (AA) – Në organizim të Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Galerisë Kombëtare të Maqedonisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni sonte në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë është hapur ekspozita kushtuar diasporës shqiptare ndër shekuj “Unë jam shqiptar”. ( Besar Ademi – Anadolu Agency )

Në hapjen e ekpozitës i pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës i Maqedonisë, Asaf Ademi, i cili theksoi se shqiptarët e Maqedonisë nuk mungojnë në këtë ekspozitë ku paraqiten emigrantët shqiptarë që kanë kontribuar në të mirë të popullit shqiptar.

“Kjo ekspozitë, përveç tjerash, është edhe një mirënjohje për kontributit e mërgatës shqiptare të Maqedonisë. Në mesin e shumë emrave të mëdhenj dua të veçoj dy nobelistët e vetëm shqiptarë, së paku deri tani, Nënë Terezën nga Shkupi dhe Ferid Muratin nga Gostivari, që janë dëshmi që shqiptarët e Maqedonisë jo të ngecin në kontributin e thirrjes ‘unë jam shqiptar’, por ata edhe prijnë”, deklaroi ministri Asafi.

Ndërkaq, kryetari i Intitutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Skender Asani, tha se të gjitha këto të mira që i ka sot populli shqiptar dhe, siç tha ai, i përjeton në të gjitha fushat e jetës, i ka pikërisht nga diaspora shqiptare.

“Pa mërgatën shqiptare ne nuk do të kishim ekzistencë në këto troje, troje të cilat kanë qenë gjithnjë synim për t’i marrë dikush tjetër dhe për të bërë një histori krejtësisht tjetër dhe falë kësaj mërgate ne jemi këtu”, u shpreh Asani.

SHKUP (AA) – Në organizim të Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Galerisë Kombëtare të Maqedonisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni sonte në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë është hapur ekspozita kushtuar diasporës shqiptare ndër shekuj “Unë jam shqiptar”. ( Besar Ademi – Anadolu Agency )

Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e heroit kombëtar, Gjerg Kastriot Skënderbeut, kur edhe filluan valët e para të emigrimit shqiptar. Ekspozita po ashtu përmban fotografi të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, fotografi të arbanitasve dhe rilindasve shqiptarë.

Fotografia e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar me fotografi të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë. Pjesa tjetër e ekspozitës prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalite të suksesshme shqiptare në vendet e tyre të emigrimit.

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Galeria Kombëtare e Maqedonisë dhe Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë, në hapjen e ekspozitës nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në fushën e kulturës.

“Sot konstatoj me kënaqësi që kemi vënë gurthemelin e një bashkëpunimi të rëndësishëm i cili do të konkretizohet dhe do të jetë drejtpërsëdrejti edhe me produkte të tjera kulturore”, tha Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë.

LDSHM kundërshton propozimet e qeverisë për ndryshime kushtetuese!

LDSHM kundërshton me forcë propozimet për ndryshime kushtetuese të dala nga mbledhja e 92-të e qeverisë drejtuar kuvendit të IRJM, duke i konsideruar ato si antishqiptare, luftënxitëse dhe kërcënuese për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit.

 

Njëkohësisht, u bën me dije deputetëve shqiptarë në parlamentin e IRJM se votimi i këtyre ndryshimeve kushtetuese duke shpërfillur domosdoshmërinë e ndryshimit të statusit kushtetues të shqiptarëve në atë shtetformues, përfaqëson aktin më të lartë të tradhtisë kombëtare, akt tanimë i konsumuar nga shqiptarët anëtarë të qeverisë, pjesëmarrës në këtë mbledhje të qeverisë.

 

LDSHM e konsideron provokim të rëndë ndaj shqiptarëve propozimin e qeverisë që, në preambulën e kushtetutës, ku përmenden traditat shtetformuese, të theksohen Shpallja dhe Manifesti drejtuar “popullit maqedonas” nga mbledhja antishqiptare e parë e Kuvendit Antifashist Nacionalçlirimtar të Maqedonisë (ASNOM) e mbajtur më 2 gusht të vitit 1944. Vendimeve të mbledhjes së parë të këtij Kuvendi, i cili vendosi themelet e shtetit komb me pronarë të vetëm sllavo maqedonasit, u paraprinë dhe i ndoqën masakra makabre jo vetëm ndaj shqiptarëve që luftuan komunizmin por edhe ndaj atyre pak shqiptarëve që u përfshinë në këto organe: të vetmit anëtar të presidiumit, dy anëtarëve të kuvendit, dhe te vetmit anëtar të qeverisë që u zgjodh më 16 prill 1945!

Vendimet e ASNOMIT që për shqiptarët përfaqësojnë asgjë tjetër pos histori terrori komunist, kombinuar me trashëgimi të përvetësuar të historisë maqedonase antike dhe asaj bullgare, nuk janë të pranueshme për shqiptarët si themele të shtetit që sot pretendohet te jete shtet i të ardhmes së përbashkët .

 

Në vend të kësaj, LDSHM rithekson edhe njëherë domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese për të hapur rrugën për statusin shtetformues të shqiptarëve dhe ndryshimin e rregullimit unitar të shtetit si gjenerator i vazhdueshëm i krizës dhe kërcënim për sigurinë e rajonit. Dhe e përkushtuar me vendosmëri dhe këmbëngulje në këtë rrugë, LDSHM kërkon mbështetjen dhe bashkëpunimin e të gjitha subjekteve politike dhe jopolitike shqiptare që në plan të parë kanë interesin kombëtar.

 

LDSHM SHBA/Evropë

10.10.2018

Gordana Jankullovkska dënohet me 6 vjet burgim

Ish-ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, u dënua me 6 vjet burgim për shpërdorim të detyrës në aferën e njohur me emrin “Tanku”.

Gjykata Penale e Shkupit e shpalli fajtore Jankullovskën për shkelje të procedurës së blerjes së një makine të blinduar për ish-kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në vlerë prej 600 mijë eurosh.

Gjykatësja Dobrilla Kacarska tha se makina është blerë nga MPB-ja, por nga dëshmitë e siguruara ka rezultuar se, në fakt, ajo “është blerë për ish-kryeministrin Gruevski”.

Gjykatësja tha se aspektet teknike të tenderit kanë favorizuar një kompani, ndërsa janë kërkuar edhe kushte të tjera të posaçme, me çka është përjashtuar mundësia e subjekteve tjera për të marrë pjesë në tender.

Për të njëjtin rast, me 2 vjet burgim është dënuar edhe Gruevski, ndërsa me 4.5 vjet Gjoko Popovski, ish-zyrtar i lartë në Ministrinë e Brendshme.

Skandali është zbuluar nga afera e përgjimeve që ishte publikuar nga opozita në shkurt të vitit 2015, ndërsa rasti është proceduar nga Prokuroria Speciale e Maqedonisë, e cila është themeluar për hetimin e shpërdorimeve të qeverisë së kaluar.

Akuzat janë hedhur poshtë nga zyrtarët e dënuar duke i vlerësuar ato si “të motivuara politikisht”.

Jankullovkska vazhdimisht ka qenë në shënjestër të kritikave, në veçanti të opinionit shqiptar, për shkak të ofendimeve në adresë të shqiptarëve, të cilët në disa raste i ka quajtur “indianë”.

Gjykata e Apelit i konfirmon dy vjet burgim Nikolla Gruevskit

Gjykata e Apelit në Shkup ka fuqizuar vendimin e Gjykatës Themelore për dënimin me ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski me dy vjet burgim.

Gruevski është shpallur fajtor për rastin “Tanku” që ka bëjë me keqpërdorimet për blerjen e një makine të llojit Mercedes për afër 600 mijë euro.

Për të njëjtën vepër me 4 vjet e gjysmë burgim është dënuar edhe ndihmës-ministri i Punëve të Brendshme, Gjoko Popovsi ndërsa një proces i veçantë po zhvillohet edhe ndaj ish -ministres, Gordana Jankullovska.

Në vitin 2011, MPB-ja kishte vendosur të blejë një makinë të blinduar deri më 243 mijë euro. Por, me insistim të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, ministrja Jankullovska kishte nënshkruar vendimin për blerjen e një makine tjetër, të pajisur sipas shijeve të Gruevskit, vlera e të cilës kishte arritur në mbi gjysmë milioni euro.

Shpërdorimet janë zbuluar nga afera e përgjimeve telefonike të publikuar nga LSDM-ja e cila atë kohë ishte në opozitë.

Procesin gjyqësor e ka udhëhequr Prokuroria Speciale, e formuar për hetimin e shpërdorimit të detyrës së qeverisë së kaluar.

Nikolla Gruevski, ka drejtuar Qeverinë e Maqedonisë për 10 vjet, sikur edhe partinë opozitare VMRO-DPMNE.

Grueveski në anën tjetër e ka cilësuar procesin të “montuar”.

Opozita maqedonase paralajmëron mbi 200 padi për referendumin

Opozita në Maqedoni konsideron se dalja në referendumin e së dielës ka qenë edhe më e ulët se 36 për qind sikur të mos manipulohej me votimin.

VMRO DPMNE-ja do të ngrejë padi kundër më shumë se 200 anëtarëve të këshillave zgjedhore nga disa qytete të banuara me shqiptarë, si Struga, Kërçova, disa zona të Tetovës dhe të Shkupit. Ajo pretendon në falsifikimin e të paktën 50 mijë votave, edhe pse KSHZ-ja që drejtohet nga një kuadër i VMRO-së, procesin zgjedhor e kishte vlerësuar si kryesisht demokratik, ngjashëm sikur edhe misioni vëzhgues i OSBE-së.

Opozita, ndërkohë mbetet edhe në qëndrimin për të mos mbështetur ndryshimet kushtetuese në Kuvend, pa të cilat marrëveshja për emrin me Greqinë nuk mund të zbatohet.

“Deputetët e VMRO DPMNE-së nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Deputetët e VMRO-së janë të zgjedhur nga populli dhe vullneti i popullit duhet të respektohet. Referendumi ka dështuar dhe më këtë edhe marrëveshjea me Greqinë, pasi populli nuk ka pranuar një marrëveshje që shlyen historinë, identitetin, gjuhën dhe gjithçka që ka të bëjë me maqedonasit”, ka deklaruar deputetja e VMRO-së, Dafina Stojanoska.

Por, përkundër kësaj, kryeministri Zoran Zaev, ka njoftuar zhvillimin e takimeve me çdo deputet të Kuvendit për të siguruar mbështetjen dhe se rezultati i këtyre takimeve, sipas kreut të qeverisë, do të bëhet i ditur më së voni deri më 10 tetor. Partitë e koalicionit qeverisës aktualisht kanë 72 deputetë, por për të kaluar ndryshimet nevojiten dy të tretat apo 80 vota.

Nga ana tjetër, edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë, ka nisur konsultimet brenda partiake mbi gjendjen e krijuar duke i dhënë mbështetjen Marrëveshjes nënshkruar me Greqinë. Kjo parti vlerëson se “për momentin prioritet i vendit është gjetja e zgjidhjes në Kuvend për zbatimin e Marrëveshja së Prespës.

“Është koha historike për një unitet ndëretnik dhe brenda etnik te komunitetet për të kapërcyer këtë sfidë me të cilën po ballafaqohemi. Kjo për të garantuar të ardhmen e vendit dhe të gjeneratave që vijnë, për të garantuar stabilitetin, paqen, për të mbajtur njerëzit këtu, për një mirëqenie më të mirë ekonomike”, ka deklaruar Osmani

BDI-ja gjithashtu vlerëson se për momentin nuk është koha për zgjedhje parlamentare të parakohshme, me të cilat sipas saj do të rrënohet dinamika e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, gjë që si thuhet në konkluzionet e miratuara, mund të sjell deri tek një bllokadë serioze të procesit të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Si datë të mundshme për zgjedhjet, kryeministri Zaev ka përmendur 25 nëntorin, por bazuar në aspektet teknike dhe kërkesat e opozitës për qeveri teknike, prokuror të ri shtetëror e çështje tjera, kjo datë edhe mund të mos arrihet duke rrezikuar kështu përkeqësimin e gjendjes politike, por edhe duke shtyrë afatet për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë, e cila ishte paraparë që në Maqedoni të zbatohet më së voni deri nga mesi i janarit, por ti hapur më pas rrugën ratifikimit të saj edhe në Parlamentin e Greqisë.

Opozita maqedonase kundër ndryshimeve kushtetuese, kërkohen zgjedhje

Hristijan Mickovski, lider i VMRO-DPMNE

 

Kryeministri Zoran Zaev nga e marta do të nisë konsultimet me partitë politike lidhur me votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë.

Bisedimet do të përfshijnë të gjitha partitë, si VMRO DPMNE-në e opozitës ashtu edhe partitë politike shqiptare, me qëllim sigurimin e dy të tretave, apo 80 vota në Kuvend, të cilat shumica parlamentare nuk i ka.

Shumica parlamentare aktualisht ka 72 deputetë, por edhe kjo shumicë është e diskutueshme bazuar në qëndrimet e dy partive të vogla opozitare shqiptare, që kanë katër deputetë e që edhe para referendumit kanë bërë të ditur se ndryshimet kushtetuese mund t’i kushtëzojnë me avancimin e statusit juridik të shqiptarëve përmes ndryshimit të disa amendamenteve që kanë të bëjnë me preambulën dhe gjuhën shqipe.

Paralajmërimi i kreut të qeverisë vjen pas referendumit, i cili edhe pse nuk kaloi pragun prej 50 për qind vlerësohet i suksesshëm nga koalicioni “Për Maqedoninë Evropiane”.

Zaev ka thënë se shumica absolute e qytetarëve apo rreth 600 mijë persona që kanë dalë në referendum kanë votuar për marrëveshjen, që paraqet mbështetjen më të madhe që ka arritur ndonjëherë ndonjë koalicion në ciklet zgjedhore.

Por, lideri i opozitës, Hristijan Mickovski mbetet në qëndrimin se referendumi ka dështuar, dhe madje në një postim në rrjetin social Facebook, ai marrëveshjen me Greqinë e ka quajtur “të vdekur” ndërsa ka akuzuar pushtetin për falsifikimin e të paktën 50 mijë votave.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Mickovski ka thënë për mediat maqedonase, se asnjë deputet i VMRO- DPMNE-së, nuk do të votojë për kërkesën e kryeministrit Zoran Zaev dhe madje ka kërkuar që këtë të mos e bëjnë edhe deputetët e tjerë në Kuvend. Mickovski ka thënë se VMRO-ja është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, por vetëm nëse paraprakisht plotësohen kushtet e saj.

“Ne kërkojmë dorëheqjen e parevokueshme të prokurorit të përgjithshëm dhe zgjedhjen e një prokurori të ri me propozim të opozitës, zgjedhjen e qeverisë së re teknike me pjesëmarrjen edhe të VMRO-së në bazë të marrëveshjes së Përzhinës, ashtu siç është vendosur edhe me ligjin e miratuar në Kuvend, e cila do të ketë mandat vetëm se për organizimin e zgjedhjeve”, ka deklaruar Mickovski.

Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se në rast se nuk arrihet mbështetja për ndryshimet kushtetuese, atëherë zgjedhjet do të ishin të pashmangshme, e madje si datë për mbajtjen e tyre ka përmendur 25 nëntorin.

Ndërkohë, përgjegjësi për gjendjen e krijuar dhe dështimin e referendumit ka kërkuar presidenti Gjorge Ivanov, në një paraqitje para opinionit. Ivanov kërkoi që të respektohet vendimi i popullit, i cili, sipas tij, “e hodhi poshtë marrëveshjen e dëmshme për emrin”.

Kreu i shtetit i dërgoi porosi edhe bashkësisë ndërkombëtare, e cila, sipas tij, po përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë, duke kërkuar që të mos imponojë zgjidhje në kundërshtim me vullnetin popullit.

Maqedoni, pjesëmarrje e ulët, çështja e emrit shkon në parlament

Kryeministri i Maqedonisë tha të dielën mbrëma se do të çojë në parlament çështjen e emrit të ri të vendit, ndonëse koalicioni i tij pranoi se referendumi dështoi të sigurojë një pjesëmarrje prej 50 për qind të votuesve që të quhej i suksesshëm.

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në referendum morën pjesë 36.79 për qind e votuesve dhe prej tyre, sipas rezultateve paraprake kur janë numëruar 97 për qind e votave, 91.37 për qind kanë votuar në favor të ndryshimit të emrit.

Kryeministri Zaev tash synon që çështja e emrit të kalojë në parlament përmes ndryshimeve kushtetuese, por për këtë nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve, të cilat shumica parlamentare nuk i ka. Nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese, atëherë kryeministri maqedonas, tha se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, në fund të muajit nëntor.

Ai tha se “marrëveshje më të mirë me Greqinë nuk ka dhe nuk mund të ketë. Anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian nuk ka dhe nuk mund të ketë alternativë. Të mos lajmë me ardhmërinë dhe Maqedoninë tonë”.

Pas mbylljes së kutive të votimit, u tha gazetarëve në Shkup se qytetarët realizuan një proces të qetë dhe demokratik të referendumit; se Maqedonia dhe qytetarët e saj dëshmuan se janë pjesë e familjes së shteteve dhe popujve evropianë.

“Ata votuan me dinjitet dhe të lirë. Secili qytetar që sot doli për të votuar solli vendimin e vetë sipas bindjes personale. Referendumi është mjeti më i lartë demokratik në të cilin dalin ata që votojnë. Vota e tyre është përfundimtare ndërsa vullneti i qytetarëve është i paluhatshëm dhe duhet të respektohet nga të gjithë. Në demokraci vendimet merren me anë të votimit. I uroj të gjithë qytetarët! Sot patën sukses për demokracinë dhe sukses për Maqedoninë evropiane”, tha zoti Zaev për të shtuar se “suksesi është i përbashkët i vendit tonë dhe i të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh bojkotin e organizuar nga udhëheqësit e VMRO-DPMNE-së, natyrisht me përjashtime të shpeshta”.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeri, tha se BDI-ja që në fillim e ka thënë se “sot, qytetarët e vendit ia deleguan vendim-marrjen Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe deputetëve të zgjedhur në zgjedhje legjitime dhe demokratike. Vendimmarrja u takon institucioneve të vendit të zgjedhura në mënyrë legjitime dhe me kapacitet të plotë vendim-marrës. Ne jemi të zgjedhur që të marrim vendime të rëndësishme, vendime të guximshme, e jo të kalkulojmë për zgjedhjet e ardhshme dhe mandatin e ardhshëm”, ka theksuar zoti Ahmeti.

Ndërkohë, kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski e quajti dështim referendumin ku qytetarët e Maqedonisë dolën fitimtarë, sipas tij.

Është i qartë disponimi i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Këtë betejë e fituan ata. Referendumi nuk pati sukses. Kjo është humbje e madhe për Zaevin dhe qeverinë e tij”, tha Mickovski në një konferencë për media, ndërkohë që porositi kryeministrin maqedonas të largohet nga posti dhe të shkojë, siç u shpreh, “në pension afatgjatë”. Ai tha se ka pasur mbushje të paligjshme të kutive të votimit në komunat e Sarajit e Butelit në Shkup dhe në Strugë. Mickovski vlerëson se qeveria e zotit Zaev u delegjitimua.

Grupe të kundërshtarëve të ndryshimit të emrit manifestuan para parlamentit të Maqedonisë.

Ky është referendumi i dytë që nga pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991, duke përjashtuar një referendum të shqiptarëve në vitet e hershme të nëntëdhjetave për kantonizimin e vendit që nuk qe njohur nga autoritetet dhe as qenë shpallur ndonjëherë rezultatet.

Reagime ndërkombëtare për referendumin

Shtetet e Bashkuara e mirëpritën rezultatin e referendumit “në të cilin qytetarët shprehën mbështetjen e tyre për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE) duke pranuar Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë”.

Në një deklaratë të zëdhënëses së Departamentit amerikan të shtetit, Heather Nauert, thuhet se “Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht zbatimin e plotë të marrëveshjes, e cila do të mundësojë që Maqedonia të marrë vendin që i takon me të drejtë në NATO dhe BE, duke kontribuar në qëndrueshmërinë, sigurinë dhe përparimin rajonal”.

Ndërsa parlamenti i Maqedonisë tani fillon shqyrtimin e ndryshimeve kushtetuese, “ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të ngrihen mbi politikat partiake dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi historike për të siguruar një të ardhme më të ndritur për vendin si pjesëmarrës i plotë në institucionet perëndimore”, thuhet në deklaratë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dyert e Aleancës Veri-atlantike mbeten të hapura për Maqedoninë.

Në një një postim në rrjetin twitter ai mirëpriti “votën për, në referendumin në Maqedoni. U bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve dhe partive që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësi për të kapur këtë moment historik. Dera e NATO-s është e hapur, por të gjitha procedurat duhet të përmbushen”, shkroi ai.

I welcome the yes vote in 🇲🇰 referendum. I urge all political leaders & parties to engage constructively & responsibly to seize this historic opportunity. #NATO’s door is open, but all national procedures have to be completed.

— Jens Stoltenberg (@jensstoltenberg) September 30, 2018

Komisionari i BE-së për zgjerim, Johannes Hahn, përgëzoi ata “të cilët votuan sot në referendumin këshillëdhënës dhe i shfrytëzuan liritë e tyre demokratike. Me votën e rëndësishme për, është shprehur përkrahje e gjerë për Marrëveshjen e Prespës dhe ardhmërinë euroatlantike të vendit”, shkroi ai.

Referendum in 🇲🇰: I congratulate those citizens who voted in today’s consultative referendum and made use of their democratic freedoms. With the very significant “yes” vote, there is broad support support to the #Prespa Agreement + to the country’s #Euroatlantic path. 1/2

— Johannes Hahn (@JHahnEU) September 30, 2018

Referendumi i së dielës shihet si historik për shkak të mundësisë së integrimit në NATO dhe afrimit me BE-në, apo rrezikut nga izolimi, nga ana tjetër.

Struktura kundër referendumit dhe ato pro ruse nuk kanë pushuar përpjekjet gjatë fushatës për t’i bindur maqedonasit që ta bojkotojnë atë.

Koalicioni “PËR Maqedoninë evropiane”, ku bëjnë pjesë partitë e pushtetit shpresonte në një referendum të suksesshëm për t’i hapur rrugën vendit drejt integrimit euro-atlantik.

Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE, e cila e kundërshton marrëveshjen me Greqinë, ndonëse nuk bëri thirrje publike për bojkotimin e referendumit, në mënyrë të tërthortë ua pati bërë me dije përkrahësve të saj se referendumi bëhej në dëm të interesave shtetërore dhe kombëtare maqedonase.

Votimet e së dielës u ndoqën nga një numër i madh vëzhguesish vendas e ndërkombëtarë.

Ambasadori Jan Petersen, shef i misionit të vëzhguesve të Zyrës për Institucione Demokratike – ODIHR, tha se “njëqind ekipe në terren, është një numër i përshtatshëm për përfundimet mbi materialet statistikore”. Misioni pritet që të hënën të bëjë vlerësimet e para për procesin e së dielës.

Ndonëse janë regjistruar disa incidente si një sulm ndaj policëve në një qendër votimi në Shkup dhe kërcënime ndaj votuesve, autoritetet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve thanë se parregullsitë e raportuara janë të vogla dhe joserioze për të prishur procesin.

Maqedonia ka pak mbi 1 milionë e 800 mijë votues. Gjysma e tyre duhej të merrnin pjesë në votime dhe pak mbi 450 mijë të votonin në favor të pyetjes: A jeni për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO duke përkrahur marrëveshjen në mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, në mënyrë që referendumi të quhej i suksesshëm.

Thaçi në Shkup: Ftoj qytetarët e Maqedonisë të votojnë “pro” në referendum

SHKUP – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili qëndron për vizitë pune në Maqedoni, pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, ka bërë të ditur se ndodhet në Shkup “për të inkurajuar dhe përshëndetur angazhimet e kryeministrit maqedonas dhe grek si burrështetas për zgjidhjen e çështjes së emrit”, si dhe u bëri thirrje qytetarëve të votojnë “pro” referendumit të 30 shtatorit.

Sipas presidentit Thaçi, marrëveshja e nënshkruar midis Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e çështjes së emrit, është vendimi më i drejtë i mundshëm, pasi që siç tha ai, të gjithë liderët e kanë obligim të mendojnë më tepër për vendin sesa për momentume populiste apo elektorale. Ai shtoi se i gjithë rajoni synon të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE).

“Kosova ju inkurajon i nderuar kryeministër, ju jep mbështetje të plotë juve dhe gjithë partnerëve tuaj në Maqedoni që të lëvizni përpara drejt anëtarësimit në NATO dhe të ardhmes evropiane. Ftoj me autoritetin tim modest, në emër të Kosovës si një vend fqinj me Maqedoninë, të gjithë njerëzit, qytetarët e Maqedonisë, pa dallim që të participojnë në referendum dhe të votojnë pro. Maqedonia në NATO është më tepër paqe për të gjithë rajonin, duke përfshirë këtu edhe Kosovën”, deklaroi presidenti Thaçi.

Në pyetjen nëse thirrja e tij për të votuar “pro” në referendum është ndërhyrje në punët e brendshme të vendit fqinj, presidenti Thaçi u përgjigj se “kur Kosova të jetë gati për në NATO do të ftoj të gjithë miqtë të më përkrahin”. Ai theksoi se kjo është një këshillë miqësore, sepse sipas tij, ata duhet të përkrahin, të qëndrojnë afër dhe të mbështesin njëri tjetrin.

“Çdo ide që i çon vendet tona përpara duhet të mirëpritet. Nëse Kosova në një perspektivë të sigurtë, në një drejtim të sigurtë, çdo këshillë e kryeministrit Zaev dhe e të gjithë liderëve në Maqedoni është e mirëseardhur për mua”, u shpreh Thaçi, duke shtuar se “tek e fundit të dy vendet do të jemi pjesë e BE-së dhe NATO-s”.

Thaçi iu referua edhe dialogut midis vendit të tij dhe Serbisë, duke theksuar se një marrëveshje e mundshme e arritur do të ketë substancë evropiane, që do të jetë në të mirë të të gjithë rajonit.

“Nuk do të bëjmë asnjë marrëveshje që cenon miqtë tonë, as Maqedoninë, as Shqipërinë, as Malin e Zi dhe asnjë vend tjetër. Por do jetë një marrëveshje e koordinuar ashtu siç veproni edhe ju me BE-në, SHBA-të dhe të gjithë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, theksoi Thaçi.

Presidenti kosovar përshëndeti edhe autostradën Prishtinë-Shkup, që është në ndërtim e sipër, duke theksuar se nga kryeministri Zaev është informuar se Maqedonia ka marrë vendim që ndërtimi i saj të fillojë edhe nga kufiri maqedono-kosovar drejt Shkupit.

Zaev: Përshëndes zgjidhjen që do të avancojë gjendjen e shqiptarëve dhe serbëve

Ndërkaq, kryeministri Zaev theksoi se me presidentin Thaçi zhvilluan takim si udhëheqës të dy vendeve që nuk kanë çështje të hapura. Sipas tij, marrëdhëniet dypalëshe pozitive dhe konstruktive, bashkëpunimi në të gjitha nivelet e arritura deri më tani inkurajojnë që të bëhet një hap më shumë në mundësitë e reja për përmirësimin e mëtejshëm dhe thellimin e marrëdhënieve reciproke.

 

Kryeministri Zaev theksoi se e mirëpret dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

“Unë e mirëpres dialogun që po zbatohet midis Kosovës dhe Serbisë. Maqedonia përshëndet zgjidhje pozitive për Kosovën, zgjidhje që do të avancojë gjendjen e shqiptarve dhe serbve, si dhe të qytetarëve të tjerë që jetojnë në Kosovë, zgjidhje që do të jetë e mirë për të ardhmen e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin”, theksoi Zaev.

Kryeministri maqedonas shtoi se për të është me rëndësi që të gjithë liderët e rajonit të mbeten të bashkuar në paqen e përhershme, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësim në BE.

“Jam i lumtur që presidenti i Kosovës, si përfaqësues i vërtetë i vendit mik erdhi sot të na inkurajojë dhe të dërgoj mesazh te qytetarët e Maqedonisë se përmes dialogut përpiqen të gjejnë zgjidhje për problemin që ekziston midis Beogradit dhe Prishtinës. Zgjidhja do të jetë e sigurt dhe miqësore për Maqedoninë dhe për të gjithë rajonin”, u shpreh Zaev.

Merkel në Shkup: Ballkani Perëndimor, vendimtar për stabilitetin e BE-së

Kancelarja gjermane, Angela Merkel gjatë vizitës së saj të shtunën në Maqedoni ka folur edhe për për mundësinë e ndryshimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se “stabiliteti nga pikëpamja e Gjermanisë dhe Evropës, ne kemi më së shumti interes për rajon stabël. Kur shikoni në hartë, e dini se Ballkani Perëndimor është vendimtar për stabilitetin e gjithë Bashkimit Evropian”.

Sipas saj “integriteti territorial është një pikënisje e rëndësishme në mënyrë që të ketë bashkëpunim kur të gjitha shtetet e Ballkanit të jenë pjesë e Bashkimit Evropian”.

Përndryshe Merkel ka vizituar Shkupin, në prag të mbajtjes së referendumit për emrin në Maqedoni.

Ajo ka ftuar qytetarët e këtij shtetit që më 30 shtator të dalin dhe të votojnë për të ardhmen euroatlantike të vendit të tyre.

Maqedonia feston sot 27 vjetorin e pavarësisë, si arriti të shkëputej nga ish-Federata Jugosllave

Për Maqedoninë sot është festë, pasi shënohet 27-vjetori i pavarësisë së saj nga ish-Federata Jugosllave. Pavarësia e kësaj republike u arrit përmes një referendumi popullor, që e shpalli atë shtet të pavarur dhe sovran. Pavarësisht referendumit, shqiptarët nuk votuan, pasi kërkuan statusin e autonomisë dhe kërkonin një tjetër pozitë me Kushtetutën e re të vendit.

Ndërkohë, Deklarata për Pavarësi u miratua nga Parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiake më 25 janar të vitit 1991. E para që e njohur shtetësinë e Maqedonisë ishte Republika e Bullgarisë, duke u pasuar nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina. Sakaq, më 26 prill 1992 shteti fitoi pavarësinë monetare me vendosjen e denarit dhe më pas fitoi edhe Armatën e vet, e cila ditëlindjen e feston më 18 gusht.

Maqedonia deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 170 shtete në botë, ndërsa me emrin kushtetues është pranuar nga 135 shtete në mesin e të cilave edhe nga tre anëtaret në Këshillin e Sigurisë – Kina, Federata Ruse dhe SHBA-ja.

Gjorge Ivanov: Korrigjimi i kufijve, me pasoja zinxhirë në Ballkan dhe më gjerë

Presidenti Gjorge Ivanov gjatë një fjalimi.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i ka kundërshtuar idetë për ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të popullatës në Ballkan, duke theksuar se kjo mund të ketë efekte negative zinxhirë ndaj zonave tjera, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Ai nuk ka specifikuar nëse mendon për debatet që po zhvillohen në Kosovë dhe Serbi për korrigjime të kufijve dhe shkëmbim të popullatës, por ka thënë se idetë e tilla tërheqin rreziqe të shumta.

“Në Ballkan sërish po bisedohet për korrigjim të kufijve, për shkëmbim të kufijve dhe të popullatës. Sikur po harrohet mësimi se çdo plan për korrigjime të kufijve në Ballkan shkakton reagim negativ zinxhiror. Precedentët në Ballkan janë shfrytëzuar dhe do të shfrytëzohen për qëllime tjera në Evropën Lindore, Kaukaz, Lindjen e Afërt, Afrikën Veriore. Këto janë sfida serioze që kërkojnë investime serioze. Për këtë qëllim, investimi në mbrojtje është interes, të cilin qeveria duhet ta ketë parasysh”, ka deklaruar presidenti Ivanov në një manifestim me rastin e 26- vjetorit të themelimit të Armatës së Maqedonisë.

Ivanov ka tërhequr vërejtjen edhe nga, siç ka thënë, kërcënimet e ndryshme, si kriza me emigrantët, por edhe kërcënimet nga individë dhe grupe radikale që, sipas tij, synojnë të rrënojnë vlerat e shoqërisë.

“Shteti territorial po përballet me sfida të reja jo territoriale…Gjatë tre vjetëve të kaluar kemi qenë dëshmitarë vetëm të fillimit të krizës me emigrantët,me të cilën do të përballemi gjatë tërë jetës tonë.. gjithnjë e më të shpeshta janë kërcënimet nga individë e grupe radikale, të cilët kanë për qëllim të anulojnë përparësitë tona dhe mënyrën se si duam të jetojmë”, ka deklaruar presidenti i Maqedonisë, Ivanov, duke tërhequr vërejtjen institucioneve që të jenë në gjendje gatishmërie ndaj sfidave të reja në rajon dhe më gjerë.

Ali Ahmeti: Korrigjimi i kufijve, fushatë mediatike. Kosova ka institucione stabël dhe të përgjegjshme

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka komentuar idenë për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se kjo është më tepër imagjinare dhe fushatë mediatike.

“Kosova ka institucione stabile dhe të përgjegjshme, që dinë të drejtojnë dhe menaxhojnë dhe Kosova ka partnerët e vet, NATO-n, SHBA, BE-në. Ka një opozitë mirë të organizuar, kështu që tani për tani nuk mund të bëjmë një vlerësim derisa nuk ka materie”, ka thënë ai.

Sipas tij, perspektiva e vetme e rajonit është ajo euroatlantike.
“Rajoni është në rrugë të mbarë në integrimet integruese. Çështja e pazgjidhur akoma është në Serbi sa i përket demarkacionit dhe kjo duhet të ketë një epilog, që nuk është e lehtë”, ka thënë Ahmeti për televizionin publik të Kosovës.

Idenë për ndryshim e korrigjim kufijsh e ka nisur Presidenti Thaçi menjëherë pasi kishte dështuar të shfuqizonte Gjykatën Speciale. Në janar të këtij viti Zyra e Thaçit e kishte lënë të hapur idenë e bisedimeve me Serbinë, duke përfshirë edhe temën e kufijve.

Deri tani vetëm Gjermania e Britania kanë dalë krejtësisht kundër, ndërsa, vendet tjera kanë lënë të hapur mundësinë e çfarëdo marrëveshje me të cilën palët mund të pajtohen.


Send this to a friend