VOAL

VOAL

AGJENDAT SERBE DHE RUSE NUK MUND TË JENË TË PRANUESHME PËR POPULLIN SHQIPTAR NË MAQEDONINË VERIORE – Nga Abdulla Mehmeti

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë Veriore

 

(Mbi filozofitë politike tepër të vjetruara, të deklasuara, jodemokratike, antihistorike dhe të pafuqishme për t’ia lënë kësaj radhe “këmbët e arushës” popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore)

 

OBRM-PDUKM e pareformuar thellësisht nuk mund të mendohet si partner politik i shqiptarëve

 

Zgjedhja e presidentit shqiptar në Maqedoninë Veriore, jo që është e pamundur dhe nuk është ide e pranueshme për shqiptarët vendës dhe shumicën e qytetarëve të tjerë të këtij shteti, por është një përrallë për një kohë tjetër, prandaj, si e tillë nuk mund të jetë pjesë e agjendës aktuale të lëvizjes politike shqiptare.

OBRM-PDUKM, nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991 e deri më sot, gjithmonë ka qenë pengesa kryesore, ana më e errët dhe destruktive për realizimin e të drejtave të ligjshme të popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore, si dhe pengesa kryesore për orientimin evropian të këtij shteti. Kjo mund të dëshmohet përmes këtyre veprimeve të derisotme të saj:

– kundërshtimin për avancimin e statusit juridik-kushtetues të shqiptarëve (me sjelljen e Kushtetutës dhe ndryshimet e plotësimet e saj, më 1991, 2001, 2018);

– kundërshtimin me formimin e qeverisë së parë “demokratike” pas pavarësimit të këtij shteti (1991), për pjesëmarrjen e partive shqiptare në atë qeveri;

– promovimin e idesë dhe tentimin për ndarjen e Maqedonisë, shkëmbimin e popullsisë dhe të territoreve mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, sipas elaborateve, projekteve dhe interesave serbe dhe ruse (2001);

– falsifikimin e numrit të banorëve shqiptarë përmes regjistrimit të popullsisë (nga qeveria e ekspertëve, e VMRO-së), më 1991 dhe kundërshtimin e regjistrimit të popullsisë me mbikëqyrje ndërkombëtare (1994);

– kundërshtimin e arsimimit universitar të shqiptarëve në gjuhën amtare, përmes protestave të njohura më 1995, 1997 dhe obstruksionet për formimin e Fakultetit Pedagogjik me mësim në gjuhën shqipe në Shkup, kundërshtimin e Ligjit për zyrtarizimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, më 2004, dhe të ngjashme);

– kundërshtimin e Ligjit për ndarjen territoriale dhe krijimin e komunave të reja me shumicë të popullsisë shqiptare (organizimi i Referendumit për ndalimin e tij), më 2004;

– kundërshtimin e sjelljes së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe (2017);

– kundërshtimin e zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit nga radhët e partive shqiptare;

– falsifikimin e historisë, përmes projekteve “Enciklopedia maqedonase”, “Shkupi 2014”, mbushja e librave shkollorë me të pavërteta historike në dëm të popullit shqiptar, etj.;

– obstruksionet dhe ndërprerja e regjistrimit të popullsisë më 2011;

– kundërshtimin e proceseve integruese euroatlantike, anëtarësimin në NATO dhe BE (në pespektivë), kundërshtimin e Marrëveshjes së Prespës dhe organizimin e Referendumit në lidhje me këtë çështje; etj.

– të gjitha parullat armiqësore, me përmbajtje shoviniste dhe raciste kundër shqiptarëve, si: “Vdekje shqiptarëve”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur” etj., për tri dekada me radhë kanë qenë pjesë të agjendës politike të kësaj partie.

Cili është motivi, cila është agjenda e individëve, grupeve, medieve, qendrave të propagandës dhe disa forcave politike shqiptare, në vend dhe jashtë, për ta ndihmuar drejtpërdrejtë dhe në forma të sofistikuara, rikthimin e OBRM-PDUKM-së në pushtet, të diktaturës, korrupsionit, krimit të organizuar, politikës antishqiptare, krizës politike dhe kaosit, me këtë edhe forcimin e influencës serbe dhe ruse në Maqedoninë Veriore dhe në rajon?!

 

Shqiptarët duhet të dinë ta bëjnë dallimin

 

Nga kush koordinohet dhe kush e mbështet dhe financon këtë fushatë politike-propaganduese në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë Veriore për rikthimin e OBRM-PDUKM (VMRO-së) në pushtet?

Fatkeqësisht, vërehet qartë që në këtë lojë janë përfshirë pa dashje edhe një numër i qytetarëve shqiptarë, të manipuluar dhe mashtruar, disa ndoshta edhe të paguar, në koordinim me këto qendra të propagandës, brenda dhe jashtë Maqedonisë Veriore.

Parulla e hedhur në këtë fushatë presidenciale se ka ardhur koha që ky shtet të ketë president shqiptar është vetëm një mbulesë, demagogji e kulluar, mashtrim dhe propagandë, e cila ka për qëllim rënien e pushtetit aktual, rikthimin e pushtetit të mëparshëm të OBRM-PDKM, të krizës politike dhe kaosit, si dhe rikthimin e influencës serbe e ruse në Maqedoninë Veriore.

Këto qendra të propagandës, duke e njohur mirë situatën e brendshme të bishtë në këtë shtet dhe raportin e forcave mes këtyre dy partive më të mëdha politike në vend, me ideologji dhe orientime të ndryshme, se LSDM-ja asnjëherë në historinë e këtij shteti, pas pavarësisë së tij në vitin 1991, nuk ka mundur ta fitojë partinë OBRM-PDUKM, në asnjë cikël zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare, komunale dhe presidenciale, pa votat e shqiptarëve dhe të bashkësive të tjera etnike, prandaj, këto qendra të propagandës dhe forca destruktive janë përqendruar të godasin fuqishëm pikërisht në këtë pikë, heqjen dhe neutralizimin, ndërprerjen dhe heqjen e mbështetjes së shqiptarëve ndaj LSDM-së.

Çfarëdo kundërshtimi, bojkotimi, apo indiference e votuesve shqiptarë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 5 maj të këtij viti, do ta nxjerrin humbëse LSDM-në përballë OBRM-PDKM.

Matematika është tepër e thjeshtë pse mund të ndodhë kështu, duke pasur parasysh frymën proserbe që ka dominuar në jetën shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore në Maqedoni, nga viti 1943, përkatësisht nga viti 1991 e deri më sot.

 

LSDM-ja dhe qëndrimi i saj ndaj shqiptarëve

 

LSDM, si parti e dalë nga nënsjetullat e ish Partisë Komuniste Jugosllave, nga viti 1991 e deri më sot, ka bërë gabime dhe lëshime në raport me shqiptarët, por saherë që në këtë parti ka dominuar fryma konstruktive shumetnike, gjatë qeverisjes së saj edhe janë shënuar disa ndryshime pozitive në avancimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve, si për realizimin e të drejtës për arsimim universitar në gjuhën amtare (zyrtarizimi i Universitetit Shtetëror të Tetovës, më 2004), decentralizimi i pushtetit dhe krijimi i disa komunave të reja me shumicë të popullsisë shqiptare (2004), sjellja e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, përkatësisht avancimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe (2018), zgjedhja e kryetarit të Parlamentit nga radhët e partive shqiptare (2017) dhe çështje të tjera, të cilat premtojnë se mund të arrihet edhe shumë më tepër në të ardhmen, në këtë frymë mirëkuptimi, tolerance dhe bashkëpunimi mes dy popujve shumicë në këtë shtet, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Gabimet e kësaj partie (LSDM) në të kaluarën duhet të diskutohen dhe kritikohen hapur, siç janë, distancimi dhe kërkimfalja nga kjo parti e dalë nga ish Partia Komuniste e Maqedonisë (PKM), për shkeljen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve gjatë regjimit komunist, diskriminimi i hapur i shqiptarëve, krimet dhe gjenocidi i ushtruar gjatë asaj periudhe.

Duhet të kritikohen hapur edhe gabimet pas vitit 1991, me degradimin e statusit juridik-kushtetues të popullit shqiptar, politikat e gabueshme edhe gjatë qeverisjes së fundit të kësaj partie, 2017-2019, me tendenca për degradimin e lëvizjes politike të shqiptarëve, sidomos me avancimin e disa kuadrove shqiptarë në radhët e saj, pa kredibilitet ndër shqiptarët, me rikthimin e frymës së vëllazërim-bashkimit sipas modelit komunist ish jugosllav, me tendencën për tkurrjen etnike të shqiptarëve, ndërhyrjen në zgjedhjet vendore në komunat shqiptare, Haraçinë, Likovë, si dhe përkrahjen e disa kandidatëve për kryetarë të disa komunave shqiptare, e politikanëve me të kaluar të papastër, të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, për bashkëpunimin pa kritere me disa forca politike të deklasuara dhe komprometuara ndër shqiptarët, ndërhyrjen dhe rritjen e kontrollit mbi mediet, pengimin dhe ngulfatjen e fjalës së lirë dhe të mendimit ndryshe për rrjedhat aktuale shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore gjatë qeverisjes së fundit (2017-2019), si dhe gabime të tjera për të cilat duhet të diskutohet hapur, të kritikohet kjo parti (LSDM), si dhe të kërkohen zgjidhje të drejta në të ardhmen, për të mirën e shtetit të përbashkët, të qytetarëve dhe sidomos në interes të proceseve integruese, anëtarësimin në NATO dhe BE (në perspektivë), të sigurisë dhe paqes në vend dhe rajon.

Por, ana e kundërt e saj, politikat e udhëhequra nga OBRM-PDUKM (VMRO), fillimisht në partneritet “strategjik” me PDSH-në, edhe më vonë me BDI-në, gjatë tri mandateve të qeverisjes së saj (2006 – 2017), asgjë të mirë dhe të dobishme nuk u ka sjellë shqiptarëve në këtë shtet.

Asnjë parti politike, nga viti 1991 e deri më sot, nuk ka qenë më destruktive dhe më armiqësore se OBRM-PDUKM ndaj shqiptarëve, të drejtave të ligjshme dhe perspektivës së popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore. Mjafton t’i hidhet një sy të kaluarës jo të largët, qëndrimeve të kësaj partie ndaj të drejtave politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, siç u theksuan në pjesën e parë të kësaj analize.

 

Ku janë votuesit shqiptarë dhe votat e tyre?

 

Sipas numrit real të popullsisë (35-40%), shqiptarët në Maqedoninë Veriore duhet të kenë mbi 630 mijë vota.

Sipas të dhënave zyrtare (joreale) për numrin e popullsisë (2002), së paku ka mbi 450 mijë votues shqiptarë në këtë shtet.

Jo 80 mijë vota, as 180 mijë vota, nuk janë vota reale të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.

Kush duhet të kujdeset dhe jep llogari për këtë?

Çfarë bëjnë partitë politike të shqiptarëve nëse nuk dinë ta numërojnë dhe mbrojnë votën shqiptare?

Cili është funksioni dhe dobia e partive politike të shqiptarëve nëse nuk janë të afta ta numërojnë, mbrojnë, mobilizojnë, orientojnë, efektuojnë dhe mirëpërdorin votën e qytetarëve shqiptarë, në emrin e të cilëve thirren, bëjnë karrierë dhe aktrojnë pushtet në Republikën e Maqedonisë Veriore?

Kjo është përgjigja që duhet ta japin partitë politike të shqiptarëve, jo të bëjnë sikur merren me politika të mëdha, me çështjen globale të integrimeve euroatlantike dhe me çështjen kombëtare, të cilën e kanë shndërruan në pazar të plaçkave!

Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, sipas të dhënave statistikore jozyrtare, se shqiptarët në Maqedoninë Veriore përbëjnë 35-40 % të popullsisë në këtë shtet.

Secili që ka pak njohuri mbi krijimin dhe funksionimin e shteteve ballkanike, për pushtetet e tyre deri më sot, e ka të qartë se shumica e këtyre shteteve janë ngritur në rrethana të pazakonshme, përmes pushtimeve, dhunës, mashtrimeve dhe falsifikimeve, dhe më tepër se kudo tjetër në botë ky rajon është dalluar gjatë historisë me shpërngulje të dhunshme të popullsive, zhvendosjen e tyre nga një shtet në tjetrin, nga një rajon në tjetrin, me shfarosje masive, gjenocide, dhunë e terror.

Këto çështje, shumica individë thonë që duhet t’ia lëmë historisë, por edhe sot falsifikimet në këto shtete, sidomos numri i popullsisë së tyre janë ende në lojë për interesat e tyre politike dhe strategjike, me qëllim të dominimit të një populli mbi të tjerët. Këtë fat e kanë pasur sidomos shqiptarët nën ish federatën jugosllave dhe po këtë fat vazhdojnë ta kenë edhe sot në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Sidoqoftë, sipas të dhënave statistikore zyrtare, sado që ato janë të pasakta, të manipuluara dhe falsifikuara, në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë në Maqedoni, thuhet se shqiptarët përbëjmë mbi 25% të popullsisë së përgjithshme në këtë shtet.

Atëherë, nëse Lista e përgjithshme e votuesve për mbajtjen e zgjedhjeve ka gjithsej 1.808.131 votues, e cila është përdorur edhe në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të mbajtura më 21 prill, dhe nëse shqiptarët sipas statistikave zyrtare janë 509.083 (25,17%) banorë në këtë shtet, i bie që në Maqedoninë Veriore të ketë së paku 450 mijë votues shqiptarë!

Në rrethin e parë të këtyre zgjedhjeve presidenciale, për kandidatin shqiptar kanë votuar vetëm 79.921 votues shqiptarë, prej të cilëve 10% besohet se kanë qenë vota nga qytetarë me përkatësi të tjera etnike.

Meqë dalja në këto zgjedhje llogaritet se ka qenë 41,79%, i bie që në këto zgjedhje është dashur të ketë së paku 180 mijë vota nga qytetarët shqiptarë që kanë marrë pjesë në këto votime.

Për cilin kandidat kanë votuar mbi 100 mijë votues shqiptarë, përveç atyre afër 80 mijë qytetarëve që kanë votuar për kandidatin shqiptar?

Në Republikën e Maqedonisë Veriore, sipas Listës së përgjithshme me 1.808.131 votues, dhe sipas numrit real të banorëve shqiptarë, prej 35-40 %, i bie të ketë mbi 630 mijë votues shqiptarë.

Edhe sipas të dhënave zyrtare (jo të sakta për numrin real të banorëve shqiptarë në këtë shtet), me të gjitha kalkulimet, megjithatë i bie të ketë mbi 450 mijë votues shqiptarë, jo 80 mijë, as 180 mijë votues dhe vota shqiptare! Ku janë votuesit dhe votat e shqiptarëve?!

 

Gjendja që nuk duhet ta tolerojnë shqiptarët me asnjë kusht

Tepër e rëndë është gjendja aktuale e shqiptarëve në Maqedoni, në të cilën e kanë sjellë partitë politike, kur të gjitha njëkohësisht mendojnë se kanë të drejtë.

Nuk mund të krijohen dhe ekzistojnë shumë realitete, kur shqiptarët kanë një qëllim të vetëm: barazinë e plotë kombëtare në Maqedoni.

Përqendrimi në një qëllim të vetëm duhet t’i shkrijë këto realitete të sajuara, ku secili me arsyetimet e veta e mbron të vërtetën të tij, edhe kur ajo është e rrejshme.

E drejta dhe e vërteta janë një dhe ato mund të mbrohen dhe triumfojnë vetëm kur përqendrohen në një qëllim të përbashkët.

Shqiptarët duhet që përmes partive politike dhe subjekteve të tjera ta mbështesin një Platformë të vetme (të përbashkët), e cila vazhdimisht duhet të pasurohet, ndryshohet dhe plotësohet me përmbajtje të reja, të përcaktuara me kompetencë shkencore, varësisht nga rrethanat e reja.

Për këtë qëllim, deri në formimin dhe funksionimin normal të një organi të përmbashkët, në formatin e një Tryeze, Forumi, apo Këshilli bashkërendues (koordinues) të partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, asnjë partie politike nuk duhet t’i lejohet si e vetme të vendosë për çështje të rëndësishme në emër të popullit shqiptar në Maqedoni.

Deri në arritjen e këtij qëllimi, mos pritni se mund të ketë ndonjë hap përpara në realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve në këtë shtet, ndërsa për gjendjen në të cilën janë shqiptarët sot, mbajmë përgjegjësi të gjithë, pa përjashtim, jo vetëm drejtuesit e partive politike.

 

(29 prill 2019)

Pollog, shumica e rrugëve janë pa emra dhe pa numra

Rreth 90 për qind e rrugëve të fshatrave të Pollogut janë pa emra dhe pa numra. Gjitha rrugët dhe numrat e shtëpive janë të regjistruar me numrin 101.

Përveç mungesës së numrave dhe emrave, problem tjetër në fshatrat e Pollogut, është edhe mungesa e sinjalistikës. Situata e tillë më së tepërmi iu sjell telashe postierëve, të cilët, shkaku i mungesës së adresave, shpesh letrat i grumbullojnë në një lokal, shkruan Alsat.

“Kemi problem me mos përcaktimin e rrugëve. Çdo fshat ka rrugën numër 101 pa numër pra kjo është një rrugë standarde që na krijon probleme neve” theksoi Murtezan Iljazi, drejtor i Postës së Tetovës

Komunat rurale, mos emërtimin e rrugëve e arsyetojnë më koston e lartë dhe pengesat nga regjistri Qendror.

“Ne si komunë dorëzuam në Regjistrin Qendror të Maqedonisë në vitin 2015, por nga atëherë na u refuzua shkaku se edhe me ligj nuk ishte e rregulluar se si duhet të duket kjo”. tha Gani Fetai, Komuna e Zhelinës.

“Për fat të keq, shkaku i mungesës së fondeve këtë punë nuk mund ta realizojmë. Kemi kërkesë prej Qeverisë se duhet të bëhet por do e përpilojmë projektin për shkurt dhe do aplikojmë në Qeveri  dhe Ministritë që të shohim se çfarë mund të na ndihmojnë për këtë punë. Kemi probleme se shumë letra na kthehen që janë me emër mbiemër sepse nuk dihet ku jeton në cilën rrugë”, u shpreh Darko Bllazhevski. Kryetar i komunës së Jegunocit

Banorët ankohen se shpesh shkaku i mungesës së numrave dhe emrave të rrugëve, vonohen me pagesat e faturave që nga postierët, lihen në kafenetë e fshatit, apo furrat e bukës.

Zaev i urdhëroi familjarët e funksionarëve të punësuar të japin dorëheqje

Pas seancës së Komisionit të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, n të cilën është konfirmuar dyshim për nepotizëm gjatë punësimeve të familjarëve të funksionarëve, kryeministri Zoran Zaev tha se po dërgon urdhër direkt te të gjithë që punësimet e tyre janë konstatuar si të parregullta të tërhiqen nga vendet e punës.

Duke folur në tribunën në Prilep, ai mbrëmë i ftoi në përgjegjësi politike dhe profesionale edhe ata që kanë bërë nepotizëm.

“Qytetarët reagojnë, institucionet e pavarura kontrollojnë dhe veprojnë. Sistemi funksionon dhe ja vendimet. Ky është mesazh për të gjithë punësimet e të cilëve janë konstatuar si të parregullta. U dërgoj urdhër të gjithëve të tërhiqen nga vendet e punës ku janë. Vetëm kështu do të funksionojë sistemi. Gjithsesi, ftoj në përgjegjësi politike dhe profesionale të çdonjërit që ka bërë nepotizëm dhe e ka shkurtuar të drejtën e qytetarëve”, tha Zaev.

Megjithatë, si tha se Komisioni e Antikorrupsionit pret vendime edhe për rastet e, siç tha, anës tjetër, të VMRO-DPMNE-së

“Pres vendime dhe procedura për nepotizmin masiv të VMRO-DPMNE-së që e përhapur në shtet dhe me të cilin tani përballet gjithë shoqëria”, tha kryeministri dhe lideri i LSDM-së./GazeteExpress/

Sulejman Rexhepi kthehet në vendin e punës

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi sot në ora 10:50 minuta u paraqit në vendin e tij të punës.

“Ardhja ime është krejt normale, vazhdojmë me punë, së shpejti do të kryejmë detyrat tona të përditshme. Tani Kam një takim me Peshkopin e Kishës Katolike, Kiro Stojanovski”, tha Sulejman Rexhepi.

Gjykata shkarkon reis.ul. Sulejman Rexhepin, prani e shtuar e forcave policore pranë objektit

Gjykata Themelore Shkup 2 ka pranuar kërkesën që reis i ri i Bashkësisë Fetare Islame të jetë Skender Buzaku, në vend të reis ul. Sulejman Rexhepi. Nëdrkaq pranim dorëzimi i postit është bërë në prani të forcave të shtuara policore dhe nuk dihet nëse brenda objektit ka eskaluar sitauta.

Në vendimin që ka siguruar Lajm thuhet se pranohet kërkesa që Buzaku të emërohet reis i ri i Shoqates se Personave Fizikë “Bashkësia Fetare Islame me adresë Çairska 1000”.

Nga BFI mes tjerash shprehen se këto ndodhi po vijnë nga sturktura të ndryshme që dëshirojnë përçarjen e komunitetit fetar islam në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq tentime për shkarkim të reis ul. Sulejman Rexhepi ka pasur edhe në të kaluarën por të njëjtat kanë përfunduar pa sukses. Rexhepi ka qenë cak edhe i disa akuzave të njëpasnjëshme të deputetit të LSDM-së Muhamet Zekiri.

Orëve në vijim presim sqarim nëse bëhet fjalë për vendim fuqiplotë të Gjykatës dhe për të njëjtën Bashkësi Fetare Islame./GazetaExpress/

Presidenti i Maqedonisë së Veriut zgjidhet në balotazh, kandidati shqiptar Blerim Reka fitoi 79 812 vota

Stevo Pendarovski i Lidhjes Social Demokrate, i mbështetur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe partitë e tjera të koalicionit qeveritar, dhe Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-DPMNE-së do të përballen në balotazh më 5 maj, pas një rezultati të ngushtë në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Maqedoninë e Veriut.

Kur janë numëruar mbi 99 për qind të votave, Stevo Pendarovski, prinë me 42.84 për qind, ndërsa Gordana Siljanovska Davkova, ka fituar 42.24 për qind të votave.

Blerim Reka i mbështetur nga partitë shqiptare të opozitës Aleanca Shqiptare dhe Lëvizja Besa, ka fituar 10.57 për qind të votave.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në zgjedhje morën pjesë 41.9 për qind e votuesve të regjistruar.

Rezultati i ngushtë i dy kandidatëve që do të përballen në raundin e dytë është pasqyrim i dallimeve të thella rreth marrëveshjes që qeveria e kryeministrit Zoran Zaev arriti me Greqinë për emrin e Maqedonisë së Veriut, një marrëveshje që u kundërshtua nga VMRO-DPMNE.

“Jam i bindur se në raundin e dytë do të kemi një president evropian për shtetin tone”, tha kryeministri Zaev të dielën mbrëma.

“Ne fituam”, tha ndëraq Hristijan Mickoski, udhëheqës i VMRO-DPMNE-së në opozitë që mbështeti zonjë Siljanovska-Davkova.

Procesi u vëzhgua nga rreth 3 mijë e 100 pjesëtarë të organizatave vendase dhe 419 vëzhgues të huaj, prej tyre më së shumti nga OSBE-ODIHR, ndërkohë që Ambasada amerikane pati 42 vëzhgues.

Blerim Reka fitoi në komunat shqiptare

Kandidati shqiptar për president, Blerim Reka, thuaj se në shumicën e vendbanimeve shqiptare kryeson kundrejt kundër kandidatëve të tij, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska.

Përveç vendbanimeve më të vegjël të pastra me popullsi shqiptare, Reka kryeson edhe në komunat më të mëdha shqiptare, Tetovë (7.000), Gostivarë (9 mijë), Dibër (3.200), Likovë (3.000), Strugë (6200), etj.

Pas kandidaturës së profesor Rekës, u rreshtuan edhe dy partitë opozitare shqiptare ASH dhe Lëvizja BESA./GazetaExpress/

Blerim Reka flet pas daljes së rezultateve të para të zgjedhjeve

Kandidati shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, ka mbajtur një konferencë për medie.

“Ne jemi shumë të kënaqur, bile kjo i ka tejkaluar pritshmëritë tona, kemi një rezultat të shkëlqyeshëm, në komunat shqiptare udhëheqim 3:1”.

Kështu ka deklaruar kandidati i opozitës shqiptare Blerim Reka në konferencën për shtyp.

“Në të gjitha komunat maqedonase kemi vota. Kjo është për tu shënuar, sepse koncepti ynë është koncept për të cilën do të votojnë gjithë qytetarët. Në komunat e Maqedonisë ku kemi marrë vota, ne nuk kemi degë. Kjo më jep shpresë se Maqedoni do të jetë shtet i të gjithëve. Ne menduam se në një shtet, të cilin ne e quajtëm të kapur. Menduam se do të promovojmë një filozofi të re. Ne nuk menduam se kemi edhe elektorat të kapur. Në këto momente ne kemi mbi 60 mijë vota për momentin, ndërsa deri në fund presim 80 mijë vota. Këto vota deligjitimuan politikat e partive shqiptare në pushtet. Ky korpus i votave paralajmëron një pranverë të re politike”, tha Reka, raporton SHENJA.

Ai tha se ata janë skeptik se do të arrihet censusi në rrethinë e dytë.

Blerim Reka nuk arriti të kandidohet në rrethin e dytë zgjedhor, kundër tij u zhvillua fushatë e ashpër politike nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që mbështeste kandidatin e LSDM-së për president, Stevo Pendarovskin.

Reka gjeti mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët, BESË-s së Bilall Kasamit dhe vetë simpatizantët e tij.

Mësohet sa vota i ka fituar Blerim Reka në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut

Kandidati i pavarur për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shqiptari Blerim Reka. sipas të dhënave jozyrtare të shtabit analitik të tij ka fituar mbi 80 mijë vota.

Kjo është bërë e ditur për INA nga përfaqësues të partive opozitare ASH dhe BESA, që përkrahin kandidatin Blerim Reka.

Sipas të dhënave të KSHZ, deri në ora 18.30 në komunat me shumicë shqiptare kanë votuar mbi 160 mijë votues.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Blerim Reka

Në Maqedoninë e Veriut ka filluar procesi i votimeve për zgjedhjen e presidentit. Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale që nga pavarësia e këtij vendi në vitin 1991.

Pak mbi 1 milion e 808 mijë qytetarë me të drejtë vote mund të zgjedhin një nga tre kandidatët në garë. Blerim Reka e ka mbështetjen e partive opozitare shqiptare Aleanca dhe Lëvizja Besa. Stevo Pendarovski është kandidat i Lidhjes Social Demokrate dhe i partive të koalicionit qeveritar, përfshirë Bashkimin Demokratik për Integrim, i mbështetur edhe nga 30 parti dhe shoqata të tjera. Gordana Siljanovska Davkova është kandidate e VMRO-DPMNE-së opozitare. Që të tre janë profesorë universiteti dhe të njohur për publikun e gjerë.

Procesin e vëzhgojnë 3150 pjesëtarë të organizatave të vendit dhe

419 të huaj, prej tyre OSBE-ODIHR me 240 vëzhgues, Ambasada e SHBA-së me 42, ndërsa Delegacioni Evropian 16 vëzhgues.

Autoritetet nuk kanë arritur prej vitesh ta pastrojnë regjistrin zgjedhor që është çështje debatesh si brenda po ashtu edhe nga vëzhguesit e huaj.

Të dielën nuk pritet të zgjidhet presidenti, sepse një garuesi për të fituar këtë post në raundin e parë i duhen gjysma, ose mbi 900 mijë vota. Por dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në balotazhin e 5 majit.

Mandati i presidentit zgjatë pesë vjet. Megjithëse ai zgjidhet me vota popullore, kompetencat i ka të kufizuara që kanë të bëjnë kryesisht me ushtrinë dhe politikën e jashtme, por presidenti në largim Gjorgje Ivanov ka provuar se mund të bllokojë proceset dhe politikat e pushtetit ekzekutiv dhe ligjvënës gjë që ka nxitur debate nëse presidenti në të ardhmen do të duhej të zgjidhet nga parlamenti me dy të tretat e votave.

Selanik: Qindra emigrantë po tentojnë të hyjnë në Maqedoninë e Veriut

Qindra emigrantë nga pjesë të ndryshme të Greqisë janë mbledhur afër një kampi në Selanik dhe po planifikojnë të kalojnë kufirin me Maqedoninë Veriore, në mënyrë që prej rajonit të Ballkanit, të shkojnë në vendet evropiane për të kërkuar azil.

Policia thotë se më shumë se 500 persona, duke përfshirë edhe familje me fëmijë, janë mbledhur në një fushë misri, dhjetë kilometra në perëndim të Selanikut.

Njoftohet se në këtë pjesë migrantët kanë ngritur tenda.

Ata thanë se iu përgjigjen një thirrje anonime në rrjete sociale për të shkuar në kufirin grek me Maqedoninë e Veriut.

Atyre iu është thënë të përpiqen ta kalojnë kufirin për të vazhduar rrugën drejt vendeve të Ballkanit.

Ky korridor i emigrantëve u mbyll në vitin 2016.

Agjencia e OKB-së për refugjatët ka paralajmëruar emigrantët që të mos bëjnë ftesa nëpërmjet rrjeteve sociale, duke thënë se kalimi i parregullt është “i rrezikshëm”.

“Gylenistët”, kusht i Ankarasë për Maqedoninë e Veriut në NATO?

Isuf Kadriu

Autoriteteve të Maqedonisë së Veriut u bëhet thirrje që të veprojnë në përputhje me ligjet vendore dhe marrëveshjet ndërkombëtare sa i përket kërkesës së Turqisë për dorëzimin e personave, që sipas Ankarasë, kanë lidhje me Lëvizjen Hizmet të klerikut fetar Fetullah Gulen, apo siç e quan Turqia, “organizata terroriste FETO”, e akuzuar për tentimet e dështuara për puç në vitin 2016.

Kështu thotë ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, në mungesë të informacioneve zyrtare lidhur me bisedimet e së mërkurës në Shkup ndërmjet ministrit të Mbrojtjes të Turqisë, Hulusi Akar, dhe ministres së Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, Radmilla Sheqerinska.

“Me sa unë jam në rrjedha me këto zhvillime, Qeveria jonë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet tjera, insistojnë në procedura gjyqësore. Kjo do të thotë se nëse për cilindo qoftë person në Turqi udhëhiqen procese gjyqësore, apo nëse ndaj tyre ka fletë-arreste ndërkombëtare, atëherë organet tona janë të detyruara t’u përgjigjen kërkesave të tyre në mënyrë adekuate duke pasur për bazë konventat ndërkombëtare”, ka thënë Trajanov.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, duke komentuar deklaratën e homologut të saj turk se ka listën me emrat e personave që duhet të dorëzohen tha se me ministrin Akar “është biseduar në drejtim të zgjidhjes së problemeve dhe sfidave, me të cilat përballen dy vendet, përfshirë edhe çështjen e ngritur”.

“Nuk kemi biseduar për afate, çështje ditësh apo javësh, por për çështje që janë të rëndësishme për dy vendet”, ka deklaruar të mërkurën, Sheqerinska.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, e vlerëson si jo të drejtë apo në kundërshtim me normat ligjore dorëzimin e tyre vetëm mbi bazën e supozimeve për përfshirjen e tyre në ndonjë veprimtari kundërligjore.

“Ne nuk mund të veprojmë vetëm në bazë të ndonjë emri, apo të ndonjë liste për arrestime. Mendoj se vendi ynë, si anëtar i NATO-s dhe aspiruese për anëtarësim në BE, nuk mund të veprojë në bazë të ndonjë kërkese të tillë. Pra, duhet respektuar normat ndërkombëtare. Ajo mund të veprojë vetëm nëse ka një procedurë juridike dhe atëherë ajo mund të vendosë nëse dikush do të ekstradohet ose jo. Kjo do të ishte shkelje e të drejtave ndërkombëtare, të drejtave të njeriut. Nuk është e mjaftueshme që emri i dikujt të jetë në listë dhe ne ta dorëzojmë. Diçka të tillë vështirë se do ta pranojë vendi ynë”, ka theksuar Trajanov.

Ministrja e Mbrojtjes, Sheqerinska, kishte deklaruar se nuk pret përkeqësim të raporteve me Turqinë, përkundrazi, pret së shpejti ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO.

Por, Erol Rizaov, njohës i çështjeve politike, ka thënë se në politikë gjithçka është e mundur. Sipas tij, kërkesa e palës turke për dorëzimin e “gylenistëve” duhet të zgjidhet në kuadër të ligjeve ekzistuese të Maqedonisë së Veriut.

“Në politikë gjithçka është e mundur, por nëse gjithë procesin e analizojmë me koka të ftohta, apo nëse shohin rrjedhën e deritanishme të raporteve mes dy vendeve, diçka e tillë nuk do të duhej të ndodhte. Kjo duhet të trajtohet nga institucionet tona nëse do të pranojnë ose jo diçka të tillë dhe nëse kërkesat e tilla janë ose jo në përputhje me ligjet tona”, ka thënë Rizaov, duke i vlerësuar si shumë të mira të raporteve ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Çështja e strukturave që konsiderohen të afërta me klerikun Fetullah Gulen, në Maqedoninë e Veriut, ishte hapur para tre vjetësh , por autoritetet e Shkupit nuk iu përgjigjën kërkesës së Ankarasë dorëzimin e tyre.

Ndërkohë, agjencia turke Anadolu kishte publikuar një listë me emrat e shkollave dhe firmave të afërta me klerikun Gulen, si shkollat fillore dhe të mesme “Jahja Kemal”, javorja “Zaman Maqedoni”, organizata “Sedef”, agjencia në fushën e turizmit “Bashak”, një zinxhir i marketeve “EVAR’, shoqata e individë të tjerë.

Kryeministri i Greqisë sot vizitë historike në Shkup, zbret në aeroport i shoqëruar nga 10 ministrat

Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras mbërrin në Shkup. Në aeroport pritja bëhet nga ministrja e Mbrojtjes, Severinska, ministri i Ekonomisë, Bekteshi. Tsipras shoqërohet nga 10 ministra, biznesmenë të Greqisë, dhe nga bashkëshortja Beti Baziana. Vizita është e para zyrtare pas ndërrimit të emrit të Maqedonisë.

Pika kulmore e vizitës së Jorgos Varemenos, nënkryetar i Parlamentit të Greqisë, në Australi ishte mbajtja e një fjalimi në ditën ditën e festës kombëtare me 25 mars, para grekëve që jetojnë në këtë vend. Por fjalimi në Melbourne u ndërpre nga të ashtuquajturit patriotë. Varemenos u quajt “tradhëtar”, sepse “bashkëpartiakët e tij e kanë shitur Maqedoninë”. Ndërsa politikani majtist më pas në një intervistë tha se fjalimin e tij e ka ndërprerë “një grup i vogël fashistësh”. Kjo protestë nuk ishte e vetmja, sepse protesta të ngjashme ka pasur edhe në shumë qytete të Greqisë, pas kompromisit për emrin e Maqedonisë.

 

Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras nuk shqetësohet shumë për këtë punë. Të martën (2.04) ai do të vizitojë Shkupin së bashku me me një delegacion ekonomik, ku do të takohet edhe me kryeministrin Zoran Zaev. Në rend dite janë këshillimet për çështje ekonomike dhe të sigurisë. Tsipras do të takohet edhe me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi. “Kjo është vizitë historike”, pohon Konstantinos Filis, drejtor i Institutit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Athinë, në një bisedë me Deutsche Wellen.

Në veçanti i rëndësishëm paraqitet bashkëpunimi i Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e mbrojtjes, në kuadër të NATO-s. Filis mendon se oficerët nga Shkupi në të ardhmen do të përgatiten edhe në Athinë. Ndërkohë që Greqia mund të ndihmojë Maqedoninë e Veriut edhe në fushën e kontrollit të hapësirës ajrore. “Raportet ekonomike kanë ekzistuar edhe më parë, ndërsa tani do të kemi edhe bashkëpunim të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, që ka të bëjë me vet esencën e sovranitetit të një shteti”, thotë eksperti.

Marrëveshja “nuk është zbatuar sa duhet”?
Në verën e vitit 2018, kryeministrat Tsipras dhe Zaev janë dakorduar për emrin e ri: “Republika Maqedonia e Veriut”. Athina ka pranuar që të mos pengojë anëtarësimin e vendit në NATO. Pas mosmarrëveshjeve të shumta, vendimi është miratuar edhe në Parlamentin e Greqisë, në janar të vitit 2019. Opozita e cila në sondazhet e fundit është në epërsi, ende është kundër marrëveshjes. Por lideri opozitar Kyriakos Mitsotakis thotë ndërkohë, se ai nuk do të kontestojë marrëveshjen e arritur me fqinjin verior.

Protestat megjithatë kanë vazhduar në veri të Greqisë. Ndërkohë që Maqedonia e Veriut nuk e ka zbatuar në tërësi marrëveshjen, thotë Filis. Kryeministri Zaev ka folur disa herë për minoritetin maqedonas në Egje, që do të thotë se ai flet për minoritetin maqedonas në Greqi – e kjo nuk është në përputhje me marrëveshjen e arritur, mendon analisti. Pas hapjes së ambasadave në Athinë dhe Shkup, diplomatët janë ata, të cilët në të ardhmen do të merren me këto çështje. “Por do të duhet edhe ca kohë deri në zbatimin e plotë të marrëveshjes”.

Mometi i përshtatshëm
Ajo që bashkon të dy palët është perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut, pohon Miltos Kyrkos, europarlamentar i partisë To Potami. “Fqinji ynë verior shprehet i gatshëm të bëhet pjesë e BE dhe tani duhet të shfrytëzohet momenti i përshtatshëm”, thotë Kyrkos në bisedë me DW. Nëse Shkupi ndryshon politikën, në rast ndërrimi të qeverisë, atëherë BE ka të gjitha mundësitë për veprim.

Politikanët në këtë moment angazhohen për një bashkëpunim më të mirë ekonomik. Ekspertët e ekonomisë thonë se marrëveshja duhet të shfrytëzohet për thellimin e marrëdhënieve. Pak kohë pas nënshkrimit të marrëveshjes janë vendosur edhe linjat e drejtpërdrejta të fluturimeve me avionë, të shoqatës Aegean Airlines. Në takimin e ditës së martë në delegacion do të jenë përfaqëusesit e më shumë se 50 sipërmarrjeve greke, të cilët mund të investojnë në shtetin fqinj. Por ka pasur edhe disa refuzime. Kryetari i odës ekonomike në Selanik, Michalis Zorpidis nuk ka pranuar të udhëtojë në delegacion me Tsiprasin, me shpjegimin se “emri i Maqedonisë është i shenjtë” dhe se ata “do të bëjnë gjithçka për ta mbrojtur këtë emër”./DW/

Pas dënimit të Abdulfetah Alimit për 27 prillin, reagon Sela: Më mirë të isha vrarë atë ditë sesa ta jetoj këtë turp

Pas denimit me 7 vjet burg ndaj Abdulfetah Alimit ka reagur Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, të cilit Alimi ia shptoi jetën nga turma e tërbuar e nacionalistëve maqedonas në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill 2017.

Me anë të një komenti në Facebook pas shqiptimit të aktgjykimit prej 211 vjet burg për 16 nga të akuzuarit për ngjarjet e përgjakshme të natës së 27 prillit, Sela e porosit Abdulfetahun se më shumë do të kishte dashur të mos kishte dalë gjallë atë natë nga Kuvendi, sesa që e përjetoi turpin e dënimit të sotëm të njeriut që i shpëtoi jetën.

Postimi i tij:

Në një ndejë me Fetain më pat thënë: “Nuk shqetësohem shum për dënimin sa shqetësohem për faktin qê po më fusin në një thes me kriminelët…”
Miku im, krimi yt i vetëm është se femijët e mi akoma kanë mundësinë tê thërrasin babanë e tyre dhe unë tju përgjigjem. Ti bëre “mëkatin” e ruajtjes së jetës. Ti je në burg sepse un jam gjall, prandaj ti ska se si të jesh si ata që më deshën të vdekur. Si ata që sot janë të lirë por me duar e me këmbë të zhytur në krim. Po po janë të lirë, biles edhe me pozicione qeveritare.
Nqs dikush nëpërmjet dënimit tënd don të tregoj simbolikën se regjimi i kaluar kishte dy komponentë edhe maqedon edhe shqiptar, ti nuk je kjo simbolikë. Ti je simbolika e shqiptarit të zakonshëm që e don jetën, që e don lirinë. Ti je simbolika e shqiptarit që i montohen akoma procese politike. Je simbolika e gjyqsisë së politizuar dhe me dy standarde. Simbolika e regjimit te kaluar smund te jetë Fetai por është Aliu me Nikollën. Ti dhe dënimi yt sot po që jeni simbolika e regjimit të tanishem të Aliut dhe Zoranit.

P.S. E rëndë sot dita Feta! Më mirë kurrë mos i kisha hapur sytë në mbrëmjen e 27 prillit sesa të jetoj këtë turp. Po, ti je fajtor. Ke fajin që un sot ndihem me fajin e pafuqise për të të ndihmuar. Ke fajin që jam gjall.

Ish-ministri i brendshëm, Çavkov, dënohet me 18 vjet burg për ngjarjet e 27 prillit

Shkup

Gjashtëmbëdhjetë nga 17 të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut janë dënuar me 211 vjet heqje lirie, duke përfshirë edhe ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, i cili u dënua me 18 vjet burg, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga 15 vjet heqje lirie u dënuan shefat e policisë Mitko Peshov, Dushko Llazarov, Goran Gjoshevski, si dhe Munik Pepiq, Jane Çento, Vlatko Trajkovski dhe Nikolla Mitrevski.

Villijam MIhajllovski u dënua me 14 vjet, ndërsa Oliver Popovski me nga 13 vjet burg.

Nga 12 vjet u dënuan Mlladen Dodevski, Gorançe Angjellovski dhe Igor Jug.

Oliver Radulov, sigurimi i shefit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), u dënua me 10 vjet burg, ndërsa i punësuari si sigurim në Kuvend, Abdulfetah Alimi, u dënua me 7 vjet heqje lirie.

I akuzuari Aleksandar Vasilevski – Ninxha u dënua me 8 vjet heqje lirie. Igor Durlovski, një nga udhëheqësit e protestave “Për Maqedoni të përbashkët”, u lirua nga akuza.

Të dënuarit akuzohet për kryerjen e veprës penale “kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues”.

Pas miratimit të Ligjit për Amnisti në Kuvend, 15 persona u amnistuan dhe procedura kundër tyre u ndërpre. Midis tyre ishin deputetët Sasho Vasilevski dhe Krsto Mukoski. Për të akuzuarin Sasho Markovski procedura zhvillohet ndaras për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Gjykimin e sotëm e njoftoi gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila udhëheq rastin e Prokurorisë për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit nga ngjarjet e 27 prillit.

Mbrëmjen e 27 prillit të vitit 2017, pas zgjedhjes së Talat Xhaferi në një situatë kaotike për kryetar të Kuvendit, protestuesit e kryesuar nga nisma qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilët ishin tubuar para Kuvendit, me forcë hynë brenda godinës dhe ushtruan dhunë ndaj deputetëve, pjesëtarëve të policisë, si dhe punonjësve mediatik, si pasojë e së cilës mbetën të lënduar rreth 100 persona.

Për dhunën në Kuvend janë gjykuar dhjetra persona, përfshirë edhe deputetë të VMRO-DPMNE-së, ndër të cilët edhe deputeti dhe ish-kryeparlamentari Trajko Veljanovski.

Ivanovi nuk i dekreton ligjet me emrin Maqedonia e Veriut

Isuf Kadriu

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, refuzoi të dekretojë 11 ligje që janë miratuar me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

Siç bënë të ditur shërbimet e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për ligje në sfera të ndryshme në ekonomi, marrëveshje për bashkëpunim mes shteteve, marrëveshje për shërbimet e sigurisë, për shërbime në armatë, ligjin për komunikime elektronike, për qasje të lirë në informacionet e karakterit publik e të tjera.

Ivanov, ligjet nuk i dekretoi me arsyetimin se “gjatë ushtrimit të funksionit, gjithmonë ka vepruar në bazë të betimit të dhënë se do të mbrojë Kushtetutën dhe interesat e Republikës së Maqedonisë”.

Kuvendi bëri të ditur se kreu i shtetit nuk i ka dekretuar as ligjet që ishin miratuar me dy të tretat e votave, që kryesisht kanë të bëjë me reformat në gjyqësor, e që konsiderohen si kyçe për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Ligjet janë miratuar pas 11 janarit, kur edhe ishin miratuar ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Ivanov e ka kundërshtuar Marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit, të arritur më 17 qershor, 2018, duke thënë se ajo nuk është në interesa të shtetit.

Ivanov edhe më parë ka refuzuar të dekretojë ligje, si atë për përdorimin e gjuhëve dhe ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë. Ai këtë e ka arsyetuar me vlerësimin se “ligjet bien ndesh me Kushtetutën dhe rrezikojnë identitetin dhe gjuhën maqedonase”.

Shkup, dënime me burg për Menduh Thaçin dhe ish-zyrtarë të tjerë

Gjykata Penale në Shkup i caktoi të premten dënimin me burg Menduh Thaçit, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare dhe pesë ish-anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe ish-zyrtarë të lartë shtetërorë, për shkak të rolit të tyre në parregullsitë e procesit të zgjedhjeve vendore në vitin 2013. Zotit Thaçi iu caktua dënimi me 3 vjet e dy muaj burg. Bedredin Ibrahimit, po ashtu zyrtar i lartë i PDSH-së dhe ish-anëtar i KSHZ-së, 4 vjet e gjashtë muaj burg. Ish-anëtarëve të tjerë të KSHZ-së, Aneta Stefanovës, 3 vjet burg, Vllatko Sajkovskit, 3 vjet burg, Sasho Sërcevit, 3 vjet burg. Edhe ish-drejtorit të shërbimit sekret, Sasho Mijallkov, 3 vjet burg. Ky i fundit, në bazë të bisedave të përgjuara telefonike, i kishte kërkuar kryetarit të PDSH-së, Thaçi që të ndërhynte tek Bedredin Ibrahimi për të votuar prishjen e procesit të votimit në komunën e Strumicës, në juglindje të Maqedonisë së Veriut. Mijallkovi u dënua për veprën “përfitim të shpërblimit përmes ndikimit të paligjshëm”.

Prokurorja e Prokurorisë së Posaçme, Fatime Fetai kërkoi masën e paraburgimit për zotërinjtë Mijallkov dhe Ibrahimi deri në hyrjen në fuqi të dënimit, për shkak të mundësisë së arratisjes së tyre, sipas saj. Nga të gjithë të akuzuarit, vetëm z. Menduh Thaçi nuk ishte i pranishëm në gjykatë.

Të dënuarit mund të paraqesin ankesat e tyre tek Gjykata e Lartë në lidhje me masat e dënimit ndaj tyre brenda një afati të caktuar.

Zaev: Pendarovski ka mbështetjen e të gjitha bashkësive etnike

Isuf Kadriu

Në Kongresin e Lidhjes Social Demokrate (LSDM), është zyrtarizuar kandidatura e Stevo Pendarovskit për president të Maqedonisë së Veriut, për zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen më 21 prill.

Kryeministri Zoran Zaev, njëhërsh kryetar i LSDM-së, tha para delegatëve se Stevo Pendarovski do të jetë presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, pas të cilit qëndrojnë të gjitha bashkësitë etnike në vend, moment ky sipas tij që nuk ka ndodhur në 27 vjet demokraci në Maqedoninë e Veriut.

“Stevo Pendarovski është propozimi ynë. Besojmë se ai është zgjedhja jonë për fitore, presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut. U bashkuam rreth idesë së një kandidat të përbashkët, me një mbështetje të madhe. Për herë të parë kemi kthesë historike e politike në vendin tonë, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vlleh, boshnjakë dhe të gjithë të tjerët jemi bërë bashkë që të sigurojmë një president për të gjithë qytetarët tanë. Do të shkojmë bashkërisht në gjithë vendin tonë që t’i japim mbështetje Stevo Pendarovski, i cili do të jetë presidenti i shtetit tonë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, duke theksuar se Maqedonisë së Veriut i duhet president i cili do të mund ta çojë vendin drejt integrimit euroatlantik, që do të jetë partner i reformave dhe jo i ndarjeve.

Më këtë rast, Zaev ka drejtuar kritika edhe ndaj presidentit aktual, Gjorge Ivanov i cili sipas Zaevit në vitin 2014 u zgjodh duke bërë padrejtësi të mëdha ndaj Stevo Pendarovski, i cili atëherë ishte kundërkandidat i Ivanovit, por që nuk kishte mbështetjen e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

“Në këto zgjedhje përfundimisht do të përmirësojmë padrejtësinë e vitit 2014. Do ta dërgojmë në histori atë i cili nuk duhet të fitonte mandatin, por kur e fitoi atë e keqpërdori atë, duke përhapur urrejtje duke i dëmtuar qytetarët e vet. Do t’i themi lamtumirë Ivanovit”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Ndërkohë, kandidati për president i partive të koalicionit qeverisës, Stevo Pendarovski ka qëndruar në Tetovë ku po ashtu Bashkimi Demokratik për Integrim i ka konfirmuar mbështetjen në mbledhjen e Këshillit Qendror të partisë.

“Koncepti im ka qenë dhe mbetet, Maqedonia për të gjithë, ku nuk do të qiraxhi e pronar, thjesht askush nuk guxon të ndjehet qytetar i rendit të dytë apo të tretë, apo të ketë privilegje për njërën apo tjetrën bashkësi etnike. Për mua të gjithë janë njësoj. Këtë koncept kam mbrojtur edhe më parë, edhe në vitin 2014 në zgjedhjet presidenciale, por edhe në vitin 2016 në zgjedhjet parlamentare. Këtë koncept e mbrojë edhe më tej”, ka deklaruar Pendarovski, duke shtuar me rëndësi të madhe është që në zgjedhjet e 21 prillit, Maqedonia e Veriut duhet të dëshmojë se është e aftë të organizojë zgjedhje të lira e demokratike. Më këtë, siç tha Pendarovski, vendi do ta arsyetojë anëtarësimin në NATO dhe çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja kandidaten e saj për presidente shteti, Gordana Siljanovska, e ka prezantuar para forumit të gruas të kësaj partie, ku janë drejtuar akuza ndaj pushtetit aktual, në veçanti lidhur me Marrëveshjen e Prespës për ndërrimin e emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut.

Siljanovska tha se kushti që kërkuan për ndërrimin e emrit të shtetit është në kundërshtim me normat ndërkombëtare.

“Nga ne kërkuan kushte plotësuese, të bisedojmë për emrin…si mundet që për emrin tim të arrihet zgjidhje…kjo është e pamundur pasi është emri im. Kjo është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare”, ka deklaruar Gordana Siljanovska, kandidate e VMRO-DPMNE-së për presidente të Maqedonisë së Veriut.

Stevo Pendarovski kandidat presidencial i partive të pushtetit në Maqedoninë e Veriut

Stevo Pendarovski është kandidat presidencial i partive të pushtetit dhe një koalicioni prej rreth tridhjetë partish të vogla në Maqedoninë e Veriut.

Lidhja Social Demokrate e Kryeministrit Zoran Zaev, Bashkimi Demokratik për Integrim, Alternativa, Partia Demokratike Shqiptare dhe partitë e turqve e të serbëve u dakorduan të premten vonë në mbrëmje që t’i japin mbështetje zotit Pendarovski në garën presidenciale të 21 prillit.

Kryeministri Zaev tha pas takimit me drejues të tridhjetë partive se Stevo Pendarovski është kandidat mbipartiak, ndërsa theksoi shpresat se ai do të jetë presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut.

Ai e quajti vendimin si historik, ndërsa tha se zoti Pendarovski do të jetë president i të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike e fetare në Maqedoninë e Veriut.

Zoti Pendarvovski aktualisht është bashkërendues kombëtar për NATO-n. Ai ishte kandidat presidencial i LSDM-së edhe në zgjedhjet e vitit 2014 kur humbi garën ndaj zotit Gjorgje Ivanov të VMRO-DPMNE-së, pasi BDI-ja e bojkotoi balotazhin, ndërsa përkrahësit e PDSH-së votuan Gjorgje Ivanovin.

Pendarovski konsiderohet si një politikan i moderuar. Ai ka mbështetjen e madhe të shqiptarëve dhe të partive të pushtetit; kjo sipas një ankete publike të brendshme që ka zhvilluar LSDM-ja gjatë javëve të fundit.

Zoti Pendarovski radhitej në anketat e brendshme publike më mirë se ministrat Oliver Spasovski i Punëve të Brendshme, Radmilla Sheqerinska e Mbrojtjes dhe Nikolla Dimitrov i Punëve të Jashtme. Lidhja Social Demokrate, megjithatë pritet që ta zyrtarizojë kandidaturën e tij në Kongresin e paralajmëruar për të dielën.

Stevo Pendarovski nuk do të ketë një garë të lehtë; Përballë tij do të jenë profesorët universitarë Gordana Siljanovska e VMRO-DPMNE-së dhe Blerim Reka i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Ky i fundit e ka vështirë të kalojë në balotazh, duke u nisur nga përvoja e të gjitha cikleve zgjedhore presidenciale që prej pavarësisë së Maqedonisë e këndej.

Sidoqoftë, janë votat e shqiptarëve të cilat vendosin në balotazh se kush do të jetë president i Maqedonisë së Veriut.

Që zgjedhjet të jenë të vlefshme, në balotazh duhet të dalin 40 përqind të votuesve, në të kundërtën kryetari i Parlamentit, në këtë rast Talat Xhaferi i merr detyrat e presidentit të paktën për gjashtë muaj deri sa të shpallen zgjedhjet e reja, plus dhe tre muaj të tjerë deri në ditën e zgjedhjeve.

Pjesëtari i Grupit të Kumanovës i rreh dy ish-ministrat maqedonas në burgun e Shutkës

Një pjesëtar i Grupit të Kumanovës, ka rrahur ish-ministrin e Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë, Mile Janakievski, si dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale Spiro Risteski, kanë njoftuar mediat e Maqedonisë.

Siç transmeton Gazeta Express, burime të Gazetës Lajm kanë konfirmuar se ka ndodhur një kacafytje fizike, por theksojnë se bëhet fjalë për incident të vogël, respektivisht “vetëm shtyrje” të ish-ministrit Janakievski.

“Sa kemi ne informacione, Janakievski nuk është rrahur, por vetëm ka pasë një zënkë verbale dhe kacafytje të vogël fizike, respektivisht shtyrje nga ana e njërit prej të arresttuarëve. Është e vërtetë se bëhet fjalë në këtë rast për një nga pjesëtarët e Grupit të Kumanovës”, kanë thënë për Lajmin burime zyrtare nga burgu i Shutkës.

Sipas tyre detaje shtesë duhet të japin nga Gjykata themelore Shkup 2, si gjykatë e cila ia ka caktuar paraburgimin Janakievskit.

Zëdhënësi i kësaj gjykate, Dejan Ristovski, deklaroi për portalin se deri në mbarim të orarit të punës në ora 15 e 30, ata nuk kanë marrë ndonjë informacion për incidentin.

“Ndoshta ka arritur te gjykatësi ndonjë informacion i tillë, mirëpo mbetet të ju informojmë gjatë ditës së nesërme”, theksoi Ristovski.

Ndërkohë burime të tjera, sidomos portale në gjuhën maqedonase, kanë informuar se një pjesëtar i Grupit të Kumanovës i paska sulmuar dy ish-ministrat, me ç’rast Janakieskit ia ka thyer dorën, kurse Risteski ka kaluar pa lëndime serioze. Media maqedonas që i publikuan këto informata u referohen anëtarëve të familjes së ish-anëtarëve të kabinetit të Nikolla Gruevskit.

Familjarët e të akuzuarve për “Makfax”, thonë se të dy janë lënduar në një rrahje me të dënuarit e “Lagjes së Trimave”. Të njëjtit thonë se të dy ish-ministrat kanë qenë të përgjakur dhe janë dërguar për kontrolle mjekësore në spitale.

Në një bisedë telefonike me drejtorin e Burgut, Jovica Stojanoviq, ai thotë për Portalb.mk vetëm se mundet ta konfirmojë se ka ndodhur incident, por kush dhe si, s’mund të tregojë pasi që, siç thotë ai, rrahja ka ndodhur në repartin e paraburgimit.

Ky portal njofton se deri te Gjykata ka arritur njoftim për incident fizik në Burgun e Shtukës, por nuk tregohet se për çfarë bëhet fjalë.

“Gjykatësi nesër do të shkojë në burg dhe do të shohë se çfarë ka ndodhur”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësi i Gjykatës Penale, Dejan Ristovski.

Televizioni Alsat, siç transmeton Expressi, përcjell informata jozyrtare se sulmi ka ndodhur në oborrin e burgut, derisa të burgosurit kanë qenë duke shëtitur. Zënka verbale ka filluar mes Ristoskit dhe një të burgosuri tjetër. Menjëherë pas zënkës Ristevski dhe i burgosuri tjetër janë dërguar për kontroll në ambulancën e burgut.

Janakieski dhe Ristovski nga mbrëmë gjenden nnë paraburgim 30 ditorë në burgun hetues të Shutkës./Gazeta Express/

Përpjekje për sulme të mundshme terroriste në Maqedoninë e Veriut

Ministria e Rendit në Maqedoninë e Veriut, njofton se ka kryer bastisje në disa vende, për të parandaluar një sulm të mundshëm terrorist nga mbështetës të Shtetit Islamik.

Sipas autoriteteve operacionet u kryen pas marrjes së informacionit nga një vend partner, por pa dhënë hollësi se cili është ky vend.

Ministria e Rendit njofton se ka konfiskuar një sërë mjetesh që lidhen me sulmin e mundshëm, por pa i identifikuar ato.

Ndërkohë, ambasada e Shteteve të Bashkuara lëshoi një paralajmërim për shtetasit amerikanë ku thekson “rrezikun e lartë nga mundësia e sulmeve terroriste të frymëzuara nga ideologjia ekstremiste në Maqedoninë e Veriut”.

Sipas vlerësimeve rreth 130 shtetas të Maqedonisë së Veriut i janë bashkuar grupit Shteti Islamik.

Javën e kaluar Maqedonia e Veriut nënshkroi protokollin e anëtarësimit në aleancën e NATO-s, pas miratimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit, nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut.

Këta janë emrat e udhëtarëve që gjenden në spital pas tragjedisë në Maqedoni, janë jashtë rrezikut për jetë

Para spitalit të qytetit “8 Shtatori”, drejtori i spitalit, Hristijan Kostov, lexoi emrat e udhëtarëve të lënduar që janë jashtë rrezikut për jetë në këtë spital.

Ai tha se në këtë spital kanë ndërruar jetë gjithsej 5 persona, katër burra dhe një grua, por që ende nuk janë identifikuar.

Familjet dhe të afërmit po përpiqen të gjejnë më shumë informacion rreth gjendjes së të dashurve të tyre. Një pjesë e tyre me lot në sytë kanë pritur lajmin për personat që janë jashtë rrezikut në këtë spital. Kostov tha se të katër sallat operative po punojnë me kapacitet të plotë.

Para hyrjes në Spitalin e Qytetit ka shumë skuadra policore dhe qasja në spital është e ndaluar në mënyrë që personeli mjekësor të mundë të kryejë punën pa probleme.
Kurse edhe në spitalin “8 Shtatori” ka ardhur një ekip nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Emrat e pacientëve jashtë rrezikut në spitalin “8 Shtatori”:

Nikolla Karanfilovski
Mersem Neziri
Esat Emruli
Jasmina Stojanova
Ahmeti Betim
Antonoi Antonievski
Alajdin Shabani
Dushan Stefanovski
Lulzim Dalipi
Manuill Trifunovski
Muhamed Shishko-Vjuzim
Verica Stojanovska
Serie Mustafi
Aliqe Uzeir
Goran Naumovski
Demira Ali
Seda Jusufi
Jeton Ismaili
Vjollca Ibrahimi
Halit Useini
Miqif Fikiri
Jasin Sejfuli
Fikrie Stefa
Jovana Gramatnikova
Abas Kasmi-Ferdi
Ilia Ristovski
Dilala Alili
Abdul Ismaili
Lujan Alili

Dy ditë zie në Maqedoninë e Veriut për viktimat e aksidentit rrugor

Isuf Kadriu

Katërmbëdhjetë të vdekur dhe mbi 40 të plagosur është bilanci i aksidentit të rëndë rrugor që ka ndodhur të mërkurën pasdite në autostradën Shkup-Tetovë, afër fshatit Llaskarcë, 10 kilometra nga kryeqendra e Maqedonisë së Veriut.

Aksidenti ka ndodhur nga rrokullisja e autobusit të linjës Shkup-Gostivar.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka ftuar në një mbledhje urgjente qeverinë, e cila ka shpallur dy ditë zie në këtë vend.

“Natë e rëndë, e mbushur përplot me dhimbje e dëshpërim. Sonte shteti jonë është në pikëllim. Nuk kam fjalë që mund të ngushëllojnë familjet e bashkëqytetarëve tanë, të cilët humbën jetën në këtë tragjedi të rëndë komunikacioni”, ka deklaruar Zaev.

Të plagosurit janë dërguar në urgjencën e Klinikës Universitare në Shkup dhe, sipas informacioneve të zyrtarëve, gjendja e së paku pesë personave është ende kritike.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë se mjekët po bëjnë gjithçka për t’iu dhënë të të plagosurve ndihmën e nevojshme.

Ekipet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Prokurorisë Publike kanë dalë në vendin e ngjarjes për të bërë ekspertizat mbi shkaqet e aksidentit.

Vozitësi i autobusit i ka shpëtuar aksidentit dhe, sipas mjekëve, ndodhet në gjendje stabile, ndërsa ekipet e hetuesisë kanë zhvilluar bisedë me të, por pa dhënë detaje.

Jozyrtarisht mësohet se shkak për këtë tragjedi mund të ketë qenë plasja e njërës nga gomat e autobusit, pas çka vozitësi ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke rënë në një hendek përgjatë autostradës.

Përmbyset autobusi me pasagjerë në autostradën Shkup-Tetovë, të vdekur e të plagosur

SHKUP – Të paktën 13 persona kanë humbur jetën pasi një autobus me pasagjerë ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në autostradën Shkup-Tetovë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në një deklaratë për mediat tha se në autobus gjendeshin rreth 50 pasagjerë dhe se aktualisht bilanci i viktimave është 13, prej të cilëve shtatë kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes, kurse gjashtë në spital.

Ambulanca nga spitale të ndryshme janë dërguar në vendin ngjarjes, kurse institucionet shëndetësore aktualisht janë duke bërë intervenimet e nevojshme për trajtimin e të lënduarve, njoftoi Filipçe.

“Në spitalin ‘8 Shtatori’ janë pranuar 25 pacientë, 22 u hospitalizuan, tre janë të lënduar lehtë nga numri total dhe me gjasë do të lëshohen në trajtim shtëpiak. Katër pacientë janë në Njësinë e Kujdesit Intensiv dhe dy pacientë janë në ndërhyrje kirurgjikale. Në qendrën urgjente në Shkup janë pranuar gjithsej pesë pacientë, tre prej të cilave janë në gjendje të lehtë. Në mesin e këtyre pacientëve është një grua shtatzënë dhe ajo do të lirohet në shtëpi. Një nga pacientët po përgatitet për ndërhyrje kirurgjikale dhe pacienti i pestë është në gjendje të rëndë rreziku, ndërsa një paciente është dërguar në Spitalin e Qytetit”, tha Filipçe.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme ende priten informacione të detajuara rreth shkaqeve të aksidentit.

Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit shndërrohet në ministri

Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit pranë Qeverisë së Maqedonisë së shpejti do të pushojë së ekzistuari dhe në vend të tij do të formohet Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

Televizioni Alsat i Shkupit ka siguruar draft versionet e propozim ndryshimeve të ligjit për Qeverinë dhe ligjit për organizimin e organeve shtetërore, të cilat pritet të hynë në procedurë parlamentare dhe të miratohen para fushatës së zgjedhjeve presidenciale.

“Kemi nisur bisedimet me partnerët e koalicionit dhe urojmë që shumë shpejt ata dy ligje për themelimin e Ministrisë së re për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive të gjindet para deputetëve dhe të gjejmë përkrahjen e së paku 2/3 së deputetëve në Kuvend. Me këtë ministri zëvendësohet Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ashtu siç ishte rekomandim i autoriteteve të Brukselit dhe vlerësoj se do të tejkalojmë situatës ku tashmë e kemi miratuar të gjithë pjesën normative që rrjedh nga Marrëveshja e Ohrit”, deklaroi sekretari organizativ dhe deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim Artan Grubi.

Deputetët në draft sugjerojnë që kjo ministri përveç kompetencave të sekretariatit, të marrë edhe një pjesë të kompetencave të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës.

Propozim – ligji

Në përbërje të Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive janë:

– Drejtoria për zhvillim dhe avancim të arsimit në gjuhën e pjesëtarëve të bashkësive,
– Drejtoria për afirmim dhe avancim të kulturës së pjesëtarëve të bashkësive.

Sekretariati do të pushojë së ekzistuari menjëherë nga hyrja në fuqi e ligjit kurse ministri i cili do të drejtojë dikasterin e ri do të zgjidhet në afat prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. BDI-ja shpreson që të udhëheqë me këtë dikaster edhe pas riorganizimit të tij.

Nga Qeveria deklarojnë se deri tani në organin ekzekutiv nuk është diskutuar për këto ndryshime të mundshme.

“Në kuadër të Qeverisë nuk ka një proces të tillë, nuk është filluar. Ndoshta në nivel politik mes partnerëve të koalicionit duhet të pyesni a ekziston ndonjë iniciativë e tillë. Megjithatë, në Qeveri, nuk ka një proces të tillë”, deklaroi Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë.

Në rastet kur ndryshimet e këtilla iniciohen nga deputetët, Kuvendi kërkon vlerësim nga Qeveria. Në këtë përbërje të ekzekutivit me Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ka udhëhequr zv.kryeministri Hazbi Lika. Ai ka qenë në qendër të kritikave për shkak të mungesës disamujore në punë dhe në seancat e Qeverisë.

/Fatlume Dervishi – Alsat/

Ngrihet flamuri i NATO-s para Qeverisë në Shkup

Isuf Kadriu

Flamuri i Aleancës Veri-atlantike është ngritur në një ceremoni solemne para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup. Ky është akt në të cilin kanë marr pjesë personalitete të larta të politikës vendore dhe ndërkombëtare, është vlerësuar si historik, pasi sipas kryeministrit, Zoran Zaev, anëtarësimi në NATO e bën këtë shtet më të sigurt dhe me perspektivë.

“Sot me plotë siguri themi se atdheu ynë është në rrugën e vërtetë drejt progresit dhe zhvillimit të pa penguar. Ia arritëm. Nga rrugët dytësore të Ballkanit ku pritëm me dekadat të tëra, tani jemi në autostradën kryesore drejt Evropës. Të gjithë mund të jemi krenarë, pasi po jetojmë në kohën moderne të ndërtimit të një shoqërie demokratike, të qytetarëve të barabartë, të cilët synojnë të arrijnë vlerat evropiane. E ardhmja më nuk është fat, ne kemi marr të ardhmen në duart tonë, të cilët edhe e kemi përcaktuar. Me këtë marrim edhe përgjegjësinë që të realizojmë synimin tone histori”,deklaroi Zaev.

Ai shprehu mirënjohje të gjithë atyre që kanë dhënë kontributin e tyre për këtë ditë të rëndësishme, përfshirë edhe palën greke, përkatësisht Qeverinë dhe shumicën parlamentare, e cila sipas tij nuk u gjunjëzua para presioneve të fuqishme, por më guxim dhe vendosmëri iu përkushtuar zgjidhjes së kontestit shumëvjeçar mes dy vendeve për çështjen e emrit.

Zaev tha se ditët në vazhdim pason edhe një fazë e rëndësishme, ajo e zbatimit në përpikëri e Marrëveshjes së Prespës dhe me këtë të ndërtimit të shtetit sipas standardeve e vlerave evropiane.

“Këtyre ditëve fillojmë me fazën komplekse të ndërtimit të shtetit tonë sipas standardeve evropiane. Askush më nuk do të na bllokojë nga jashtë. Me vendimet e Parlamentit tonë dhe të Parlamentit të Greqisë dhe me ftesën e shteteve anëtare të Aleancës, ne veç më marrim pjesë në punën e Aleancës më të fuqishme në botë dhe pas ratifikimit të protokollit nga të gjitha shteteve anëtare dhe hyrjes në fuqi të emrit të ri, ne bëhemi anëtarja e 30-të e NATO-s, me çka bëhemi shtet i sigurt dhe prosperues”, ka theksuar Zaev, duke theksuar se marrëveshja afron dy popujt dhe pushtetet në forcimin e marrëdhënieve nga të cilat dy vendet do të kenë vetëm se përfitime.

Por, jo vetëm kaq, kreu i Qeverisë, tha se marrëveshja dhe zgjidhja e kontestit forcon edhe raportet mes shteteve në rajon.

Kryeministri i Maqedonisë në Veriut, Zoran Zaev flet gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit të NATO-s në Shkup.

Kryeministri i Maqedonisë në Veriut, Zoran Zaev flet gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit të NATO-s në Shkup.

“Maqedonia e Veriut nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveç se raporte të mira politike, ekonomike e kulturore. Ballkani nuk do të ketë zgjidhe tjetër përveç se bashkëpunimit dhe zhvillimit. Ndërtimi i miqësisë mbetet prioriteti jonë kryesor në politikën e jashtme”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, i cili fjalimin e ka mbajtur para ndërtesës pa mbishkrimin ri me emrin Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Mbishkrimi i vjetër është hequr, ndërsa për të riun nga Qeveria thonë se janë duke punuar dhe se së shpejti do të ndodhë ky akt.

Amendamentet kushtetuese, ndërkohë ende nuk janë shpallur në Gazetën Zyrtare për të shënuar përfundimisht ndërrimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Kryeparlamentari Xhaferi shpalli zgjedhjet presidenciale për 21 prill

SHKUP – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve të parakohshme lokale në komunat e Ohrit, Dibrës dhe Novo Sellës. Rrethi i parë i zgjedhjeve duhet të mbahet më 21 prill, raporton Anadolu Agency (AA).

Menjëherë pas nënshkrimit të aktvendimit, kryeparlamentari Xhari dha deklaratë për mediat.

“Para pak kohe nënshkrova aktvendimin për shpalljen e zgjedhjeve të 6-ta presidenciale dhe aktvendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar komune në komunat e Ohrit, Novo Sellës dhe Dibrës. Këtë e bëra në pajtim me obligimin ligjor që e kam si kryetar i Kuvendit. Zgjedhjet do të mbahen më 21 prill. Aktendimi për shpalljen e zgjedhjeve do të dorëzohet deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor si organ për zbatimin e zgjedhjeve”, tha Xhaferi.

Ai më tej tha çdo zgjedhje të reja janë mundësi për mirëndërtimin e vlerësimit pozitiv të marrë nga zgjedhjet paraprake, duke shtuar se rruga për në NATO dhe BE tashmë është trasuar dhe se ulësja e 30-të në NATO është e Maqedonisë.

“Në periudhën që vjen, Republika e Maqedonisë do e japë testin e kapacitetit dhe pjekurisë. Zgjedhjet fer dhe demokratike janë një nga kushtet sipas të cilave do të na vlerësojnë dhe notojnë. Prandaj, apeloj deri te të gjithë pjesëmarrësit në garën presidenciale në vijim, partitë politike dhe te Ju qytetarë të bëjmë përpjekje maksimale që Republika e Maqedonisë të ketë përsëri zgjedhje siç i ngjajnë një shteti evropian, demokratik për realizimin e aspiratave të shtetit dhe për të mirën e qytetarëve”, theksoi Xhaferi.

Ai u bëri thirrje edhe institucioneve kompetente që të bëjnë gjithçka, që dita e zgjedhjeve të kalojë në atmosferë të qetë dhe demokratike.

Maqedonia nënshkruan Protokollin për anëtarësim në NATO

Isak Ramadani

NATO-ja e nënshkruajti Protokollin me Republikën e Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e kësaj të fundit në Aleancë, si vendi i tridhjetë. 29 ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s e nënshkruan Protokollin, i cili i lejon zyrtarëve të Shkupit të marrin pjesë në çdo seancë dhe organizim të Aleancës Veriatlantike në Bruksel, por ende pa të drejtë vote.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha gjatë ceremonisë se ky është fillimi i procesit të ratifikimit, ndërsa shpresonte se do të vazhdojë pa pengesa për ta ftuar Shkupin si anëtar fuqiplotë të Aleancës. “Ju do t’i vazhdoni reformat, ndërsa NATO do të japë mbështetje dhe ndihmë. Prej sot, përfaqësuesit tuaj do të na shoqërojnë në këtë tryezë dhe do të ftohen për në takimet e NATO-s”, theksoi ai. Zoti Stoltenberg shprehu mirënjohje për guximin, siç tha të Kryeministrave Alexis Tsipras dhe Zoran Zaev. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të sjellë më shumë qëndrueshmëri dhe siguri në rajon.

Ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov i cili e nënshkroi Protokollin si përfaqësues i Maqedonisë së Veriut theksoi angazhimin e gjeneratave të tëra për arritjen deri tek kjo ditë. Ai tha se kjo ndodhi pasi “Kryeministrat Zaev dhe Tsipras e shtruan rrugën për këtë synim dhe pajtim dhe se dëshmuan që e pamundura është e mundur”. “Për Maqedoninë, NATO-ja paraqet kalimin e vijës së sigurisë dhe ajo është një familje shtetesh për siguri, qëndrueshmëri dhe që ka për qëllim ta bëjë botën më të qetë për ta jetuar”, tha ministri Dimitrov.

Para anëtarësimit të plotë, secili vend anëtar i NATO-s duhet ta ratifikojë protokollin. Greqia pritet të jetë vendi i parë që do t’i japë dritën jeshile fqinjit të saj për anëtarësim në Aleancën e NATO-s, pasi kishte bllokuar rrugët e integrimit të Maqedonisë për gati tre dekada, për shkak të problemit të emrit Maqedoni, me që një rajon në Greqinë veriore e mban të njejtin emër dhe për shkak të pretendimeve të mundshme të Shkupit ndaj territorit dhe historisë greke. Parlamenti grek pritet ta ratifikojë protokollin të premten.

Pas kësaj, Marrëveshja e Prespës e arritur më 17 qershor, 2017, përkatësisht emri Republika e Maqedonisë së Veriut hyn në fuqi dhe në përdorim zyrtar. Shkupi do ta njoftojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare për emrin e ri dhe t’u kërkojë atyre që ta përdorin atë.

Maqedoni, gjykata ngrin pasuritë e 4 ish-ministrave

Gjykata e Shkupit me kërkesë të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngrirë pasuritë e katër ish- ministrave.

Ish-ministrat Mihail Cvetkov dhe Hristijan Dellev kanë përfunduar në paraburgim, ndërsa ish-ministri Aco Spasenovski për shkak të gjendjes shëndetësore është në arrest shtëpiak. Për Ljupço Dimovskin gjatë javës së ardhshme do të mbahet seancë për kërkesën për paraburgim, pasi Kuvendi ia mori mandatin e deputetit.

Më herët, Prokuroria hapi një çështje kundër tyre bazuar nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kompetencave gjatë shpalljeve publike”.

Ata dyshohen se gjatë kohës së ministra të Bujqësisë, kanë nënshkruar marrëveshje për dhënien me qira të tokës bujqësore shtetërore dhe në këtë mënyrë e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për mbi 1.4 milionë euro.

Gruevski: U largova për në Hungari, sepse në Maqedoni do të më vrisnin në burg

Gruevski edhe më herët ka deklaruar se ka marre kërcënime me vdekje në Maqedoni, një akuzë për të cilën, Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev ka shprehur skepticizëm, duke hedhur poshtë se ish-kryeministri Gruevski ka qenë viktimë e ndjekjes politike.

Gruevski, që ka lidhje të fuqishme me kryeministrin autokrat hungarez, Viktor Orban, u largua për në Budapest në nëntorin e vitit 2018, pasi ishte dënuar në Maqedoni nën akuza për korrupsion me dy vjet burgim. Budapesti zyrtar i dha azil Gruevskit, për atë që e cilësoi si “përndjekje politike” në Maqedoni.

Gruevski tha se ka zgjedhur shtetin e Hungarisë për shkak se ai është anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe sipas tij është shtet “me institucione të pavarura”.

Nikola Gruevski, ka shërbyer në postin e kryeministrit nga viti 2006 deri më 2016. Ai, në muajin maj të vitit 2018, u dënua me dy vjet burgim, për shkak se kishte përdorur për nevoja personale, një veturë në vlerë prej 600 mijë eurosh, që ishte blerë me fonde shtetërore.

Shkupi zyrtar, që ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për Gruevskin, e akuzon atë edhe për një varg veprash të tjera që lidhen me korrupsion.

Maqedonia më 6 shkurt nënshkruan protokollin për pranim në NATO

BRUKSEL – Aleanca Veri-Atlantike NATO javën e ardhshme do të nënshkruajë protokollin për pranimin e Maqedonisë në Aleancë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në një mesazh të postuar nga llogaria e tij në Twitter ka njoftuar se me pjesëmarrjen e ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në selinë e NATO-s në Bruksel më 6 shkurt do të nënshkruajnë protokollin për pranim, e cila është faza përfundimtare për pranimin e vendit në Aleancë.

Për të filluar anëtarësimin e Maqedonisë, duhet që protokolli i pranimit të ratifikohet nga parlamentet e të gjitha shteteve anëtare dhe të përfundojnë disa procese zyrtare.

Gjatë këtij procesi, Maqedonia do të ftohet në takimet e NATO-s.

Sipas Marrëveshjes së Prespës të nënshkruar me Greqinë për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, emri i vendit do të jetë zyrtarisht Republika e Maqedonisë së Veriut pas nënshkrimit të protokollit të pranimit nga Athina dhe ratifikimit të saj në parlament.

NATO i dërgoi ftesë për anëtarësim Maqedonisë në Samitin e mbajtur vitin e kaluar në Bruksel. aa

Maqedonia dhe Kosova diskutojnë mbledhjen midis dy qeverive

PRISHTINA – Zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim zv/kryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmani, me të cilin diskutuan për një sërë temash, duke përfshirë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe përgatitjen e një mbledhjeje të përbashkët midis qeverive të vendeve të tyre.

Pas takimit, Hoxhaj në një konferencë për media bëri të ditur se Osmanin e informoi për dinamikën e dialogut me Serbinë dhe se në maujt shkurt, mars dhe prill pritet një axhend intensive e takimeve në Bruksel. Ai gjithashtu tha se javën e ardhshme takimi duhet të mbahet në Bruksel.

“Ajo që ndodh në marrëdhëniet bilaterale midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka të bëjë vetëm për këto dy vende, por edhe për rajonin dhe ne do ta informojmë zëvendëskryeministrin edhe në të ardhmen për çdo dinamikë që ky proces do të ketë, sepse arritjet e Kosovës do të jenë të rëndësishme për Maqedoninë dhe për shqiptarët në Maqedoni”, tha Hoxhaj.

Zv/kryeministri kosovar theksoi se ka përgëzuar homologun e tij nga Maqedonia për rolin e madh të faktorit politik shqiptar në Maqedoni në vitin 2018 në lidhje me emrin e vendit. Ai theksoi se janë biseduar edhe për përgatitjen e një takimi të qeverive të të dy vendeve që do të mbahet në vitin 2019.

“Kemi një axhendë shumë të mirë dhe 17 marrëveshje që duhet të nënshkruhen dhe që parashikojnë bashkëpunimin e zyrave të kryeministrive, ministrive të sektorëve të ndryshëm, komunave dhe këto marrëveshje edhe më tej do të rregullojnë bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, arsimit, shëndetësisë, lirisë së qarkullimit të njerëzve dhe pikat doganore”, tha Hoxhaj.

Zvkryeministri Osmani tha se vizita e tij në Prishtinë përkon me një ditë të rëndësishme në të cilën pritet që Greqia të ratifikojë Marrëveshjen e Prespës, me të cilën përmbyllet çështja e emrit dhe Maqedonia mbyll të gjitha çështjet e hapura bilaterale me fqinjët e saj dhe hap rrugën për anëtarësim në NATO dhe BE .

“Unë shpesh kam theksuar se Maqedonia nxit dhe eksporton në një farë mënyre modelet evropiane të mbylljes së kontekstit ballkanik, gjë që shpresojmë të jemi katalizator për mbylljen e temave të tjera në rajon, me çka përfundimisht i gjithë rajoni të hyjë në periudhën e paqes, stabilitetit dhe integrimit në NATO dhe BE”, tha Osmani.

Ai gjithashtu deklaroi se erdhi për të informuar Hoxhajn se Maqedonia është e gatshme të mbajë takimin në maj menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale në vendin e tij. Që të dy zv/kryeministrat janë koordinatorë për organizimin e takimit të përbashkët midis dy qeverive, asaj të Maqedonisë dhe Kosovës.

Osmani theksoi se deri më tani është bërë shumë në përgatitjen e marrëveshjeve të nevojshme dhe se kjo kohë mund të përdoret për përgatitjen e disa çështjeve të tjera, veçanërisht në fushën e ekonomisë.

Zgjedhje presidenciale dhe parlamentare në pranverë?

Isuf Kadriu

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni do të mbahen në pranverë. Data e saktë pritet të kumtohet në fillim të muajit të ardhshëm nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, por me gjasë ato do të mbahen në dy rrethe zgjedhore në prill dhe maj.

Megjithatë, dilema kryesore mbetet nëse së bashku me zgjedhjet presidenciale do të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat kërkohen nga VMRO-ja opozitare, partitë shqiptare të opozitës, por edhe një pjesë e vetë Lidhjes Social- Demokrate (LSDM) të kryeministrit, Zoran Zaev. Për këtë edhe do të diskutohet në mbledhjen e të premtes të organeve të partisë, nëse do të pranohet ose jo një mundësi e tillë.

Kryeministri Zaev thotë ai personalisht nuk parapëlqen zgjedhje të dyfishta, por do të pranojë nëse një gjë e tillë kalon në organet e partisë.

“Zgjedhjet parlamentare reflektohen ndaj vendimeve që e çojnë përpara vendin, qoftë në ekonomi apo sfera tjera, andaj them që ky vit duhet të jetë ekonomik. Kjo është një nga arsyet se pse nuk duhet të ketë zgjedhje, pasi duhet të kryhen shumë reforma që ndodhen para nesh. Por, në anën tjetër ka vlerësime se kur ka zgjedhje presidenciale pse të mos shfrytëzohet mundësia për marrjen e një mandati të plotë, por edhe për faktin se mbajtja edhe e parlamentareve nuk do të rrezikonte presidencialet, për shkak të frikës për të mos kaluar pragun prej 40 për qind në rast të ndonjë bojkoti të mundshëm. Sidoqoftë, për vendimin final do të diskutohet në organet e partisë”, tha Zaev.

Nga opozita kanë thënë se zgjedhje duhet të ketë, për shkak të siç thonë, “humbjes së kredibilitetit të Qeverisë lidhur me Marrëveshjen për emrin me Greqinë, Ligjin për gjuhën shqipe, gjendjen e rëndë ekonomike, partizimin e gjyqësorit, e çështje tjera”.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), partner kryesor i LSDM-së në Qeveri, thonë se nuk ka nevojë që të mbahen zgjedhje edhe pse ata shprehen të bindur në fitoren e tyre, në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Interes shtetëror për vendin në këtë situatë nuk është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por nëse të tjerët kërkojnë zgjedhje, BDI-ja është e gatshme t’i përgjigjet çdo përballjeje”, ka deklaruar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Njohësit e çështjeve politike thonë se zgjedhjet janë humbje kohe, por rreziku i dështimit të zgjedhjeve presidenciale, por edhe konfirmimi i legjitimimit pas Marrëveshjes për emrin, mund të jetë një nga arsyet që megjithatë në pranverë të ketë zgjedhje të dyfishta. Sasho Klekovski, thotë Qeveria aktuale përballet edhe me kritika tjera.

“Edhe partitë politike, por edhe deputetët që votuan Marrëveshjen e Prespës (Marrëveshja për emrin) nuk kishin legjitimimet që ta bëjnë këtë, pasi nuk ishte paraparë në programet e tyre, pra edhe mund të kontestohet vendimi i tyre.. Duke u nisur nga kjo, por edhe premtimi i pushtetit gjatë fushatës se do të ketë drejtësi për të gjithë, por që u komprometua me amnistinë dhe shumë veprime tjera, flet se premtimi nuk është realizuar. Për këtë dy çështje konsiderojë se mund të kërkohet besimi nga elektorati dhe nëse fitojnë në zgjedhje, atëherë këto çështje do të legjitimohen”, thotë Klekovski.

Partitë, ndërkohë kanë nisur edhe konsultimet lidhur me caktimin e kandidatëve të mundshëm për president, për të zëvendësuar kreun aktual të shtetit, Gjorge Ivanov, i cili në këtë post e ka ushtruar për dy mandate. Partitë në pushtet nuk përjashtojnë mundësinë që të dalin me një kandidat të përbashkët, por për momentin ende nuk ka ndonjë emër si kandidat serioz. Opozita me gjasë do të dalë e vetme dhe për momentin në rrjedh është paraqitja e kandidatëve në konkursin partiak.

Maqedoni, botohet ligji që lejon përdorimin e gjerë të shqipes

Në Maqedoni, Gazeta Zyrtare botoi të martën Ligjin për përdorimin e gjuhëve, gjë që shënon një hap drejt përdorimit të gjerë të gjuhës shqipe në vend.

Ligji nuk u nënshkrua nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe për muaj të tërë mbeti në sirtarët e kryetarit të parlamentit, Talat Xhaferi, e cili e dërgoi mbrëmë për botim.

Drejtuesit e “Gazetës zyrtare” thanë se publikimi i ligjit bëhet sipas Nenin 52/2 të Kushtetutës.

Partia maqedonase e opozitës VMRO-DPMNE, kërcënoi drejtorin e Gazetës Zyrtare, Martin Kostovski se mund të dënohet me burg për “vepër penale”.

Zoti Kostovski u përgjigj se çdo përpjekje për të njollosur Gazetën Zyrtare do të denoncohet në organet gjyqësore.

Së bashku me ligjin e gjuhëve, zoti Xhaferi dërgoi për botim edhe ligjin e fundit për ndryshimet kushtetuese – ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedonia e Veriut.

Ligji thekson se “gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”.

Në nenin e dytë thuhet: “Krahas maqedonishtes, gjuhë tjetër zyrtare është edhe gjuha të cilën e flasin së paku 20 përqind e popullatës dhe alfabeti i saj”.

Kjo ka shkaktuar debate prej muajsh nëse gjuha shqipe do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni apo vetëm zgjerohet përdorimi i saj.

Me ligjin e ri, gjuha shqipe pritet të ketë shtrirje në përdorimin e saj në organet më të larta shtetërore, gjyqësore, në institucionet publike dhe ato lokale.

Ligji do t’i mundësojë mes tjerash, kryetarit të parlamentit, duke qenë shqiptar, që seancat t’i drejtojë në gjuhën e tij amtare. Edhe ministrat shqiptarë në seancat e qeverisë do të mund të flasin shqip.

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve nga shumica parlamentare, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerësohet si përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur në gusht 2001.

Shqiptarët, sipas statistikave zyrtare përbëjnë 25 përqind të popullsisë së Maqedonisë.

Marrëveshja e Ohrit që rezultoi pas një konflikti të armatosur midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare maqedonase në vitin 2001, përfshinte një sërë ligjesh që e rrisnin pozitën e shqiptarëve në vend, por gjuha shqipe mbeti gjatë me një status të cunguar, duke nxitur pakënaqësi të shumta tek popullata shqiptare.

Ndryshimet kushtetuese u publikuan në Gazetën Zyrtare

Vendimi për shpalljen e amendamenteve 33,34,34, dhe 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë është publikuar të shtunën në numrin gjashtë të Gazetës Zyrtare të RM-së.

Vendimin e ka nënshkruar kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Kuvendi i Maqedonisë më 11 janar i miratoi ndryshimet kushtetuese që dalin nga Marrëveshja me Greqinë për zgjidhjen e kontestit për emrin, me çka pala e Maqedonisë e plotësoi detyrën e saj nga ajo që u dakordua, ndërsa tani  e ka radhën Parlamenti grek që të ratifikojë Marrëveshjen me çka do të hapet rruga për integrimin e vendit në BE dhe në NATO.

Deputetët me shumicë prej dy të tretave në suaza të seancës së 75-të i miratuan amendamentet 33,34,35 dhe 36 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, ndërsa pastaj edhe i shpallën ato. U miratua edhe u shpalle edhe Ligji kushtetues për zbatimin e amendamenteve.

Ndryshimet kushtetuese me të cilat emri i shtetit ndryshohet në Republika Maqedonia e Veriut do të hyjë në fuqi pasi Marrëveshja e Prespës dhe Protokolli për inkuadrimin e vendit në NATO do të ratifikohet në parlamentin grek.

Miratohen ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

Parlamenti i Maqedonisë, miratoi të premten ndryshimet kushtetuese që mundësojnë ndryshimin e emrit të saj në Maqedonia e Veriut, sipas marrëveshjes me Greqinë.

Tetëdhjetë e një deputetë në parlamentin 120 vendesh votuan për ndryshimet kushtetuese, duke miratuar së pari veç e veç katër amendamentet që kanë të bëjnë me ndryshimin e emrit, me preambulën, me shtetësinë, kujdesin e shtetit për diasporën dhe më pas ligjin kushtetues ose paketën e ndryshimeve kushtetuese. Deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE, që kundërshtojnë marrëveshjen, bojkotuan votimin.

Shumica parlamentare arriti dy të tretat e nevojshme të votave pas një marrëveshjeje në orët e pasdites mes kryeministrit Zoran Zaev dhe drejtuesve të krahut opozitar të Lëvizjes Besa, dy ligjënësit e së cilës patën një rol kyç në plotësimin e shumicës së nevojshme për këto ndryshime.

Kryeministri Zaev dhe partia shqiptare ranë dakord që në kushtetutën e re, në përcaktimin e termit të shtetësisë do të përdoren dy emërtime “maqedonase dhe qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Për shqiptarët do të ketë një sqarim për përkatësinë e tyre etnike. Po ashtu letërnjoftimet personale do të përfshijnë edhe deklarimin e shtetasve sipas përkatësisë së tyre etnike.

Në preambulën e re të Kushtetutrës thuhet, mes tjerash:

“Qytetarët е Republikës së Maqedonisë, populli maqedon, pjesa e popullit shqiptar, pjesa e popullit turk, e popullit vlleh, popullit serb… duke marrë përsipër përgjegjësinë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut të tyre…”; Nga këtu është hequr referenca “si dhe pjesëtarët e komuniteteve të cilët jetojnë brenda kufijve të saj e që janë pjesë e popullit…”

Zoti Zaev gjatë mbrojtjes së amendamenteve në parlament, shprehu mirënjohjen për ata deputetë të opozitës të cilët përmes votës së tyre e ndihmuan procesin. Ndërkaq, ligjvënësja Elizabeta Kançevska Milevska nga grupi i tetëshes së përjashtuar prej VMRO_DPMNE-së i hodhi poshtë akuzat dhe ofendimet nga krerët e kësaj partie se “tetë deputetët ishin tradhtarë”, ndërsa pyeti nga foltorja kryetarin e VMRO-së Hristijan Mickovski se cilat ishin alternativat e tij, duke lënë të kuptohet nga ana tjetër se edhe ish-partia e saj në të kaluarën favorizonte një propozim identik për ndryshimin e emrit.

Para parlamentit, dhjetra protestues të mbështetur edhe nga VMRO-ja kishin bllokuar bulevardin, ndërsa lëshonin thirrje ofenduese kundër deputetëve që votuan ndryshimet kushtetuese.

Ndryshimi i emrit të republikës ish-jugosllave përmes amendamenteve kushtetuese pasoi marrëveshjen e 17 qershorit në Prespë midis qeverive të Shkupit dhe Athinës dhe do t’i hapë rrugën Maqedonisë drejt integrimeve më të shpejta në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Por këto ndryshime do të hyjnë në fuqi vetëm pasi parlamenti grek ta ketë ratifikuar marrëveshjen e Prespës.

Ndërkohë në Greqi vazhdon paqartësia për këtë çështje që mund të shkaktojë zgjedhje të parakohëshme në vend. Kryeministri Alexis Tsipras dhe aleati i tij i së djathtës, shtynë një debat për marrëveshjen me Shkupin, duke e mbajtur çështjen pezull.

Zoti Tsipras ka thënë se do të kërkojë votëbesim nëse humb mbështetjen parlamentare të partisë së djathtë ANEL, Grekët e Pavarur e cila ka thënë se do të votonte kundër marrëveshjes me Maqedoninë nëse ajo sillet në parlament.

Zaev siguron votat për ndryshimet kushtetuese

Isuf Kadriu

Shumica parlamentare në Maqedoni ka siguruar dy të tretat e votave për të kaluar ndryshimet kushtetuese për zbatimin e marrëveshjes së emrit me Greqinë.

Siç bëhet e ditur nga Lëvizja Besa, kryetari i kësaj partie, Bilall Kasami, dhe kryeministri Zoran Zaev, janë marrë vesh që kërkesat e opozitës shqiptare të realizohen përmes Ligjit kushtetues dhe jo përmes amendamenteve plotësuese.

Sipas marrëveshjes, çështja e shtetësisë në dokumentet personale për maqedonasit do të jetë sipas formulimit /maqedonase/ qytetar i Maqedonisë së Veriut/ ndërsa për shqiptarët /e Maqedonisë/ qytetar i Maqedonisë së Veriut.

Opozita kishte kontestuar variantin e parë pasi sipas saj, predikonte përkatësinë etnike të shqiptarëve si maqedonas. Marrëveshja parashikon që me ligj të rregullohet edhe çështja e letërnjoftimet me çka do të shtohet një grafikë e përkatësisë etnike. Për kujdesin ndaj diasporës pranohet amendamenti i Lëvizjes Besa që të përmenden të gjitha bashkësitë etnike të pranuara me Kushtetutë.

Këto ndryshime së bashku me amendamentet tjera pritet të votohen në seancën që pritet të mbahet më vonë gjatë mbrëmjes.

Me votimin e tyre zbatohet edhe Marrëveshja për emrin me Greqinë e arritur më 17 qershor të vitit të kaluar, me të cilat zhbllokohet procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe nisja në qershor e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Që të jetë e plotfuqishme, Marrëveshja për emrin duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Greqisë, por vetëm pasi më parë të jetë zbatuar tërësisht nga Maqedonia. Marrëveshja parasheh ndërrimin e emrit të Maqedonisë, në Maqedonia e Veriut.

Ndryshimet kushtetuese, dallime edhe mes ekspertëve

Dallimet ndërmjet partive politike lidhur me përkufizimin e shtetësisë së qytetarëve në dokumentet personale, ka ndarë në qëndrime edhe disa nga njohësit e çështjeve politike dhe juridike në vend.

Ekspertët maqedonas kundërshtojnë kërkesën e Lëvizjes Besa, e cila dy votat e saj vendimtare për të votuar ndryshimet kushtetuese me 80 vota, i ka kushtëzuar me ridefinimin e shtetësisë, e cila është formuluar si /maqedonas/qytetar i Maqedonisë së Veriut.

“Mendoj se Kasami dhe Sela kanë zgjedhur një periudhë shumë të pakëndshme dhe me veprimet e tyre po humbin edhe atë pozitë të dobët që kishin edhe para qytetarëve të Maqedonisë, por edhe para faktorit ndërkombëtar. Tani nuk është koha për kushtëzime apo kërkesa të tilla pasi tani është koha që të gjithë të bashkohemi për të ardhmen evropiane të Maqedonisë pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për maqedonas, shqiptar apo të tjerë”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, ish-diplomati Nani Ruxhin.

Ai ka theksuar rëndësinë që ka për vendin mbyllja e kontestit të emrit me Greqinë, që sipas tij, për 27 vjet sa edhe ka zgjatur, e ka bllokuar procesin euro-integrues dhe me këtë edhe perspektivën dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ne duhet ta kryejmë këtë obligim dhe besoj se jemi në fazën e fundit të mbylljes së këtij kapitulli të gjatë. Të gjithë ne nuk duhet ta lëshojmë këtë shans historik dhe përfundimisht ky shtet të nisë të shkëputet nga vendi ku është katandisur”, thotë Ruzhin.

Ai, sikurse dhe ekspertë tjerë maqedonas nuk e përjashton mundësinë, që pas kushtëzimeve të Lëvizjes Besa, të qëndrojnë edhe qarqe të jashtme, që duan që Maqedonia të mbetet e izoluar, por pa saktësuar sa për çfarë qarqesh bëhet fjalë.

Por, ndryshe vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe gjuhësore shqiptare. Ata i arsyetojnë kërkesat e opozitës shqiptare duke kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme që shqiptarët, në përkufizimin e shtetësisë në dokumentet personale të mos ndihen maqedonas.

Dervish Alimi, jurist dhe njohës i çështjeve të gjuhësisë, thotë se shqiptarët nuk mund të pajtohen që ta pranojnë formulimin /maqedonas/qytetar i Maqedonisë së Veriut”, pasi kjo do të prejudikojë edhe përkatësinë e tyre etnike. Ky formulim, sipas Alimit, nuk është në përputhje as me zgjidhjen e deritanishme, e cila për shqiptarët ka formulimin /e Maqedonisë.

“Zgjidhja më e mirë për dalje nga kjo situatë dhe ngërçi politik është në gjetjen e kompromisit në aspektin e përkatësisë etnike dhe shtetërore të fjalës maqedonase, sepse ka një konfuzion këtu edhe gjuhësor edhe juridik. Gramatikisht maqedonase e ka kuptimin e mbiemrit dhe kjo gramatikisht e përshkruan edhe emrin”.

“Nëse thua se shtetësia është maqedonase, i bie se është e maqedonasve, ndërsa nëse e themi në rasën gjinore, shtetësia e Maqedonisë së Veriut, domethënë në këtë rast, eliminohet përkatësia etnike dhe ekskluziviteti etnik i përkatësisë së shtetit”, thotë Dervish Alimi, duke shtuar se drejtuesit e institucioneve dhe të partive politike nuk duhet ta lënë zvarrë këtë çështje në emër të zgjidhjes së një zgjidhjeje tjetër, siç është ajo e emrit me Greqinë.

“Këtu ka një mashtrim politik. Pala maqedonase në emër të zgjidhjes së një problemi tenton që të privojë shqiptarët nga e drejta e përkatësisë etnike dhe nga e drejta e shtet-formësisë”, thotë Alimi.

Me votimin e ndryshimeve kushtetuese në fakt zbatohet edhe marrëveshja për emrin me Greqinë e arritur më 17 qershor të vitit të kaluar, me të cilat zhbllokohet procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe nisja në qershor e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shkup: Parlamenti do të fillojë debatin për ndryshimin e emrit

Ligjvënësit në Maqedoni do të fillojnë të mërkurën debatin në Parlament për ndryshimin e emrit që do t’i jepte fund mosmarrëveshjes me Greqinë.

Kryeministri Zoran Zaev ka mbështetur ndryshimin e emrit të vendit në Republikën e Maqedonisë Veriore dhe po përpiqet për miratimin e propozimit në debatin e planifikuar për 9 janar.

Megjithatë ai nuk e ka shumicën prej 120 deputetëve të Parlamentit.

Kjo do të thotë, se atij i duhen edhe votat e deputetëve të partisë opozitare VMRO-DPMNE për të kaluar propozimin.

Kështu ndodhi edhe në nëntor kur filloi procesi i ndryshimit të emrit.

Nëse parlamenti e voton ndryshimin e emrit, Greqia ka premtuar se do të ndalë bllokimin e përpjekjeve të Shkupit për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Por edhe nëse Maqedonia e voton propozimin, ai duhet të miratohet edhe nga parlamenti grek.

Lëvizja Besa i vë kusht Zaevit për t’i votuar ndryshimet kushtetuese

Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami përkrahjen e tij për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese e kushtëzoi me pranimin e amendamenteve të paraqitura nga partia e tij.

“Nëse Zaevi nuk ka vesh për kërkesat tona, që deri tani nuk kishte, le të mendojë të gjejë ende vota për ndryshime kushtetuese”, tha Kasami pas mbledhjes së djeshme partiake.

Grupi parlamentar i Besës dhe Aleancës për Shqiptarët kërkoi që në amendamentet e marrëveshjes së Prespës të fshihet fjala “maqedonas” në grafën për shtetësinë dhe të shkruajë vetëm “qytetarë të Maqedonisë Veriore”.

Vendimin se a do t’i përkrahin deputetët e tyre ndryshimet kushtetuese do ta marrë kryesia qendrore e Besës.

Besa ka dy deputetë në Kuvend, po aq sa edhe Aleanca për Shqiptarët.

Për t’u pranuar ndryshimet kushtetuese duhen votat e dy të tretave, që do të thotë se nga 120 anëtarët e Kuvendit “për” duhet të votojnë 80 deputetë.


Send this to a friend