Ekipi negociator do ta ketë rolin kryesor në bisedimet politike me Serbinë, thonë përfaqësuesit politikë që sponsorizuan miratimin e rezolutës për dialogun të shtunën e kaluar.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate dhe i propozuar si bashkudhëheqës i ekipit negociator me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, tha për Radion Evropa e Lirë, se delegacioni shtetëror i Kosovës ka fuqi negociuese dhe do të koordinojë të gjitha aktivitetet e saj me të gjitha institucionet, duke përfshirë edhe presidentin, Qeverinë dhe Kuvendin.
“Do të bashkërendojmë edhe platformën apo principet e dialogut, kështu që unë tani e shoh një situatë, një kthim në normalitet. Krijohet një epiqendër e koordinimit dhe aktiviteteve që Kosova të dalë sa më mirë në këto bisedime”, tha Limaj.
Bisedimet politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian, deri më tani janë zhvilluar në nivel të presidentëve. Por, tash e tutje, ekipi i ri beson se mund të marrë përsipër gjithë procesin.
Zëvendëskryeministri Limaj thotë se pala nga Kosova tash e tutje do të shkojë në Bruksel me përbërjen e re, ndërsa siç tha ai, Kosovës nuk i intereson se në çfarë përbërje mund të vijë Serbia në bisedime.
“Si do të vijë Serbia është çështje tërësisht që i takon Serbisë, por Kosova e ka ketë delegacion dhe delegacioni e ka mandatin e Parlamentit të Kosovës për të negociuar dhe përafruar një marrëveshje gjithëpërfshirës. Delegacioni i Kosovës është pjesë e institucioneve kushtetuese të këtij vendi”, tha Limaj.
Limaj ka treguar për Radion Evropa e Lirë, se shumë shpejt ekipi negociator do të mblidhet dhe do të diskutojë për agjendën dhe platformën e bisedimeve.
“Ajo që është mëse e qartë, kemi një konsensus të plotë se Kosova futet në një dialog final me epilog njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB e të tjera”, tha Limaj.
Mandati i presidentit të Kosovës me Kushtetutë është udhëheqës i politikës së jashtme dhe ky mandat nuk mund të hiqet apo të zvogëlohet me ligje apo edhe me rezoluta që mund të miratohen.
Por, Visar Ymeri, nënkryetar i Partisë opozitare Socialdemokrate që është bërë pjesë e grupit negociator tha për Radion Evropa e Lirë se fjalën përfundimtare në dialog tash e tutje do ta ketë pikërisht ekipi negociator.
“Sa i takon këtij aktiviteti të veçantë i cili nuk është aktivitet i zakonshëm në politikën e jashtme të Kosovës, pra dialogu me Serbinë, fjalën përfundimtare do të ketë delegacioni shtetëror. Kështu është paraparë edhe me rezolutën e do të parashihet edhe me ligj. Pra, vendimmarrja për këtë i takon delegacionit shtetëror. Natyrisht delegacioni do të konsultohet edhe me institucionet e tjera, mirëpo delegacioni është mandatuar nga Kuvendi i Kosovës që ekskluzivisht të jetë vendimmarrësi edhe përfaqësuesi i Republikës së Kosovës sa i takon dialogut”, tha Ymeri.
Ndërsa ekipi negociator pretendon se ka marrë lidershipin ne dialog, nga zyra e Presidentit Thaçi nuk është dhënë asnjë sqarim, nëse presidenti është tërhequr nga roli i tij në këtë proces.
Sipas rezolutës së miratuar në Kuvend thuhet se “marrëveshja përfundimtare e cila mund të arrihet në procesin e dialogut do t’i nënshtrohet një Referendumi Konsultativ para se të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Jeta Krasniqi, analiste e Institutit Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se tash dihet se presidenti Hashim Thaçi është ai i cili është duke udhëhequr me fazën final të dialogu Kosovë dhe formati i bisedimeve.
Ajo thekson se është shumë e rëndësishme që të ketë një sqarim se si do të ndërveprojnë këto dy formacione presidenti dhe delegacioni shtetëror dhe se cili do të jetë qëndrimi unik i shtetit të Kosovës.
“Presidenti Thaçi ende vazhdon me idenë se duhet të ketë një korrigjim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, atë siç edhe ai e quan. Se sa lehtë do të arrihet deri të një dakordim mund të them se ne mund të spekulojmë, por mbetet të shihet. Por, prapë po shihet se ka një diskrepancë mes këtyre qëndrimeve dhe derisa ka një diskrepancë ka një nevojë shumë të madhe serioze që të ketë një unitet. Nëse nuk do të ketë një unitet në qëndrimin e Kosovës në këto bisedime, ajo që do të dëmtohet është interesi i vetë Kosovës dhe qytetarëve”, tha Krasniqi.
Rezoluta e miratuar nga partitë në pushtet dhe PSD-ja në opozitë, nuk është mbështetur nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Këto dy subjekte kërkojnë që Kosova fillimisht të shkojë në zgjedhje dhe më pastaj të formojë institucione që do ta përfaqësonin vendin në këtë proces final të arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se me formimin e një ekipi të ri negociator për bisedimet me Serbinë, po bëhen përpjekje që, siç tha ai, “presidentit Thaçi t’i zvogëlohet vetmia”.
Ai tha se me formimin e atij grupi nuk shihet kurrfarë zgjidhje, por sipas tij, do të ketë gabime të reja.
“Cili është kuptimi që të krijohet grup negociator që do të përpilojë platformë e grupe pune, kur ndërkohë e ke shkruar marrëveshjen finale. Pra, njëherë e kanë shkruar marrëveshjen finale e pastaj thonë eja të formojmë grupe e të hartojmë platforma. Ky është rend i mbrapsht i gjërave”, tha Kurti në një konferencë për media.
Në rezolutën e miratuar në fundjavë, thuhet po ashtu se “çfarëdo veprimi të institucioneve të Republikës së Kosovës në raport me Republikën e Serbisë duhet të bashkërendohen dhe të miratohen dyanshëm në mes instituticioneve të Republikës së Kosovës dhe delegacionit shtetëror.
Kurse, marrëveshja përfundimtare e cila mund të arrihet në procesin e dialogut do të konsiderohet e vlefshme vetëm pas ratifikimit të saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës sipas procedurës kushtetuese për ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare, me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, thuhet në rezolutë.