Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, ka thënë se fotografia me pamje të rënda grafike, ku pasqyrohet akti i dhunimit seksual të një gruaje nga persona me uniforma, të cilën e ka prezantuar të enjten në Kuvendin e Kosovës, si dëshmi e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, mund të jetë dokument i falsifikuar.
Pas intervistës që ajo ka dhënë në Prokurorinë Speciale të Kosovës, lidhur me prezantimin e kësaj fotografie, u është drejtuar mediave, duke thënë se fotografia i ishte dorëzuar asaj në vitin 2003, në kohën kur ajo ishte kryetare e Komisionit për personat e pagjetur, nga një aktivist i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes ish-nënkryetares së Komisionit, Mevlyde Saraçi.
Sipas saj, personi që ia kishte dorëzuar fotografinë në zarf, i kishte thënë se mund ta përdorte si dokument dhe se gruaja në këtë fotografi që pretendohej se dhunohej nga pjesëtarët e forcave serbe, ishte e gjallë.
“Nuk kam besuar që ky dokument mund të jetë diçka që nuk është e saktë. Saktësinë e tij do ta vërtetojnë organet e shtetit. Unë qëndroj në dispozicionin e tyre në çdo moment, jo vetëm për këtë rast, por për të gjitha rastet”, ka thënë Brovina.
Ajo u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve, të cilëve kjo fotografi u ka shkaktuar tronditje.
“Këtë dokument e ruaj në mesin e shumë dokumenteve tjera që i kam qysh nga viti 2003. Tani, pas kaq kohësh, të quhet dokument i falsifikuar… më vjen shumë keq. Ju kërkoj falje të gjithë atyre dhe qëndroj pranë kësaj për gjithë fajësinë time, që ndoshta nuk e kam verifikuar në momentin e fundit edhe një herë”, ka thënë Brovina, e cila ka shprehur gatishmërinë që të japë dorëheqje nga posti i deputetes, në rast se kjo kërkohet si një masë e nevojshme.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me fotografinë, të cilën deputetja Brovina ua ka prezantuar mediave, për të cilën ajo kishte theksuar se është dëshmi e dhunës seksuale ndaj një gruaje 35-vjeçare nga ana e ushtarëve serbë gjatë luftës në Kosovë.
Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, ka theksuar se publikimi i fotografisë nga deputetja Brovina ka shkaktuar shqetësim të madh në opinion. Por, ajo ka hedhur poshtë pohimet e mëhershme të deputetes Brovina se Prokuroria ka qenë në dijeni lidhur me fotografinë që ajo ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës.
Ajo ka thënë se Brovina i ka thënë Prokurorisë së në posedim të fotografisë ka ardhur në vitin 2003, përmes disa aktivistëve nga Gjakova, emrat e të cilëve nuk i mban mend.
“Në pyetjen time se a e ka raportuar rastin në Prokurori ose në Polici, meqë kemi të bëjmë vepër penale, ka deklaruar që jo dhe se nuk e ka pasur të njohur që ka për obligim që ta deklarojë rastin në prokurori. Po ashtu, ka shprehur një shqetësim, me daljen e informatave, se kjo foto mund të jetë nga lufta e Irakut dhe se ajo nuk ka një njohuri të tillë”, ka thënë Hajdari.
Sipas saj, intervistimi i deputetes Brovina, në cilësinë e dëshmitares,nga ana e Prokurorisë Speciale, është vetëm një hap hetimor.
“Neve na mbeten edhe disa veprime hetimore për të dalë me një rezultat përfundimtar. Për gjithçka që do të ndërmarrim dhe për gjithçka që rezulton nga hetimi, ne do t’ju informojmë. Një përgjigje mund t’ju japim në momentin kur i përfundoj hetimet dhe kur bëhet analiza e tërësishme e rastit”, ka theksuar Hajdari.
Brovina e ka prezantuar fotografinë para mediave, që po përcillnin seancën e Kuvendit të Kosovës, në të cilën është miratuar Rezoluta që mban përgjegjës Serbinë për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës të ish-regjimit serb në Kosovë”.
Për më shumë, tashmë duket që fotografia e prezantuar është marrë nga një faqe interneti me përmbajtje pornografike. Mediat në Kosovë i kanë publikuar pamjet e tilla, duke u thirrur në atë faqe të internetit, për të rritur.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Vesli, njëherësh edhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, së cilës i takon edhe deputetja Flora Brovina, ka theksuar se kjo e fundit ka bërë një gabim të madh.
“Zonja Flora Brovina, ditën e djeshme (e enjte) e ka bërë një gabim të madh. Por, unë besoj që e ka bërë pa dashje. E them këtë, sepse e njoh Florën, veprimtarinë e saj, humanizmin e saj, ashtu siç e njeh e gjithë Kosova. Gjithsesi ajo është dashur të konsultohet më herët për atë veprim që e ka ndërmarrë para se të vinte në seancë”.
“Por, ne duhet, të gjithë, bashkërisht, që të nxjerrim mësim nga ky gabim. Ky gabim, pikërisht, na dëshmon nevojën që trajtimi i së kaluarës të bëhet në mënyrë profesionale dhe jo të ngutur dhe emocionale, si dhe nevojën për institucione të specializuara dhe me ekspertë të mirëfilltë”, ka thënë Veseli.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i pyetur nga mediat lidhur me fotografinë e prezantuar nga deputetja Brovina, ka thënë se “Serbia ka kryer gjenocid, ka vrarë mbi 13.500 shqiptarë, ka kryer më shumë se 400 masakra kundër civilëve shqiptarë, gra, fëmijë e pleq”.
Siç ka thënë ai, Serbia ka dhunuar 20 mijë gra shqiptare, ka dëbuar rreth 1 milion qytetarë nga Kosova dhe ka vrarë më shumë se 1 mijë fëmijë shqiptarë.
“Gjenocidi nuk ka brirë. Ky është gjenocidi i shtetit të Serbisë. Vetë Kosova është fotografia e gjenocidit të Serbisë në vitet 1998 dhe ’99”, ëshët shprehur Thaçi.
Publikimi i fotografisë nga deputetja Brovina, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, i ka shkaktuar dëm shumë të madh shoqërisë së Kosovës dhe punës së deritashme me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për rehabilitimin e viktimave të torturës, e cila tash e 20 vjet punon për rehabilitimin e grave që kanë përjetuar dhunë seksuale, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që organizata që ajo drejton, asnjëherë më parë nuk e ka parë një fotografi të tillë, e cila, siç ka thënë ajo, e ka tronditur gjithë shoqërinë e Kosovës, e në veçanti të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe familjet e tyre.
“Padyshim që kjo i ka lënduar dhe i ka tërhequr ato në atë gëzhojën e vet familjare, që ato të tërhiqen dhe të kenë frikë që të besojnë për ta ndarë rrëfimin e tyre. Kur kjo për më shumë ndodhë në mes të Kuvendit që është institucioni më i lartë i Kosovës. Por, them që ne duhet të punojmë, duhet të mobilizohemi, si shoqëri, si aktivistë, nga secila perspektivë ku ne punojmë dhe veprojmë, që krejt kjo ngjarje të mos na lërë t’i rrënojmë dhe t’i dëmtojmë, si dhe t’i ritraumatizojmë edhe një herë ata që e kanë përjetuar këtë krim në vitin 1999”, ka deklaruar Rushiti.
Për më shumë, sipas Rushitit, skandali tjetër, i cili mbetet për t’u vërtetuar, mbetet vërtetësia e fotografisë.
Ajo i ka bërë thirrje shoqërisë së Kosovës që të mos lejojë që kjo ngjarje të ndikojë punën për ofrimin e mbështetjes për viktimat e dhunës seksuale, ndonëse sipas saj, pasojat janë të mundshme, për shkak se garantimi i besueshmërisë ka qenë kushti kryesor i për pjesëmarrjen e viktimave të dhunës seksuale në procesin e verifikimit të statusit të tyre , në mënyrë që të realizohej e drejta e tyre për përfitimet e caktuara, sikurse e drejta për pension.