VOAL

VOAL

Kurti: Pa dorëzimin e Radoiçiqit s’ka mirëbesim në dialog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se tri kushtet që ai vendosi në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, janë ato që garantojnë procesin e normalizimit me Serbinë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se pa dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, që kreu sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, tek autoritetet e Kosovës s’mund të ketë mirëbesim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Tridhjetë e nëntë persona të atij grupi, nga 47 të identifikuar qartë ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtar nga INTERPOL-i. Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, tha Kurti.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Në sulm mbeti i vrarë një rreshter, ndërkaq gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Radoiçiq besohet se ndodhet në Serbi.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Në rundin e dialogut, të mbajtur më 26 qershor, Bashkimi Evropian tha se Kurti nuk ishte i gatshëm për një takim trepalësh me ndërmjetësit evropianë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, pas takimit tha se Kurti paraqiti tri kushte, të cilat Vuçiq nuk ishte i gatshëm t’i pranonte plotësisht.

Përveç dorëzimit të Radoiçiqit, Kurti ka kërkuar që Serbia të tërhiqet nga letra që kishte dërguar në bllokun evropian ish-kryeministrja Ana Bërnabiq, përmes së cilës Beogradi shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Kurti ka kërkuar që kjo marrëveshje, e arritur vitin e kaluar të nënshkruhet.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se vetëm nënshkrimi i marrëveshjes – që sipas BE-së është ligjërisht e obligueshme për palët – garantohet zbatimi i saj.

“Në tri takime dypalëshe sa u zhvilluan të mërkurën ne paraqitëm këto tri kërkesa të garancisë, që në fakt janë mburojë për vetë Marrëveshjen Bazë e cila është nën sulm të vazhdueshëm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm të respektojë asnjë. Pra, as të nënshkruajë marrëveshje, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as ta dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq”, tha Kurti.

“Nënshkrimi i marrëveshjes do të nënkuptojë formalizimin, tërheqja e letrës së Bërnabiq do të nënkuptojë seriozitet për fillim të zbatimit, kurse dorëzimi i kriminelit Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar do të nënkuptojë vendosje të drejtësisë dhe bashkëpunim të mirë fqinjësor”, shtoi kryeministri i Kosovës.

Asnjëra palë, deri më tash, nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt zbatimit të ndonjë elementi të kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut. REL

Të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviçit, Gjykata e Prishtinës dënon katër të pandehurit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sot katër të pandehurit, të cilët akuzohen për vrasjen e ish-zyrtarit serb, Oliver Ivanoviç.

Mësohet se Nedelko Spasojeviç u dënua me katër vite e gjashtë muaj burgim për pjesëmarrje në një grup kriminal që e organizoi vrasjen e Oliver Ivanoviçit gjashtë vjet më parë. Dragisha Markoviç dhe Zharko Jovanoviç u dënuan me nga katër vjet burgim, Marko Roshiq me dhjetë vjet burgim, ndërsa Sillvana Arsoviç u lirua nga akuzat. Ivanoviç u vra më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.

Nedelko Spasojeviq, ish-polic, u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg për veprën penale pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë prej 4.500 euro për armëmbajtje pa leje. Marko Roshiç, qytetar i Mitrovicës së Veriut, u dënua me dhjetë vjet burg për veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë në vlerë 10.000 euro. Dragisha Markoviq, ish-polic, u dënua me katër vjet burgim për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Zharko Jovanoviç, ish-polic, u dënua me katër vjet burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për armëmbajtje pa leje, si dhe me gjobë prej 1.500 euro. Sillvana Arsoviq, sekretare e Ivanoviqit, u shpall e pafajshëm për akuzën se ishte pjesë e një grupi kriminal. Të dënuarve do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak. Ata nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit kur iu shqiptua dënimi. Javën e kaluar, Rade Basara, i cili po ashtu ka qenë polic në kohën kur është vrarë Ivanoviq, është liruar nga akuzat se ka qenë pjesë e grupit kriminal, që e ka ndihmuar dhe organizuar vrasjen.

Prokuroria Speciale ka thënë se ndjekja penale e Basarës është ndërprerë, për shkak të mungesës së provave. Seancat në rastin e vrasjes së Ivanoviqit shpesh janë shtyrë, për shkak se dëshmitarët nuk janë paraqitur, ndërsa disa dëshmitarë – nën mbrojtjen e anonimitetit – kanë refuzuar të japin deklarata, duke thënë se nuk ndihen të sigurt. bw

Tik Tok pritet të ndalohet në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës

Rrjeti social Tik Tok pritet të ndalohet në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Kjo pritet të bëhet me një vendim qeveritar. Propozimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhet me çështje të sigurisë.

Kryeministri Albin Kurti ka ftuar kabinetin në një mbledhje që do të mbahet të premten dhe ndër pika që do të diskutohet e ku do të merret edhe një vendim do të jetë edhe kjo për Tik Tok-un. sn

Sveçla: Ka përfunduar koha e kontrollit të veriut nga strukturat kriminale e terroriste të Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, kanë identifikuar dy lokacione në të cilat kanë qenë të vendosura kamerat vëzhguese të kamufluara për monitorim të lëvizjeve të qytetarëve, institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në veri të vendit.

Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar edhe video nga operacioni policor, ka thënë se mekanizmat e kontrollit dhe spiunazhit të Serbisë në Republikën tonë do t’i luftojmë me çdo kusht.

“Sot janë identifikuar dhe sekuestruar dy kamera të kamufluara në dy lokacione dhe pajisje të tjera ndihmëse të komunikimit, nga të cilat institucionet e Serbisë kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve, zyrtarëve të institucioneve tona të sigurisë dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë”, ka shkruar Sveçla.

Ai më tej ka thënë se “koha e kontrollit të veriut të vendit tonë nga strukturat kriminale e terroriste të Serbisë ka përfunduar”.

“Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë si çdo kund në Republikën tonë”, ka shkruar ai.

Policia e Kosovës të mërkurën ka arrestuar në Mitrovicë një ish-pjesëtar të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, për të cilin dyshohet se ka spiunuar për autoritetet se sigurisë së Serbisë. sn

Policia e Kosovës thotë se gjeti kamera vëzhguese në veri

Një nga kamerat që Policia tha se gjeti në veri të Kosovës.

 

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), tha se ka identifikuar dy lokacione ku ishin vendosur kamera vëzhguese në veri të Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se kamerat, që sipas tij ishin të kamufluara, ishin vendosur për “monitorim të lëvizjeve të qytetarëve, institucioneve të Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në veri të vendit”.

Një nga kamerat që Policia tha se gjeti në veri të Kosovës.

Një nga kamerat që Policia tha se gjeti në veri të Kosovës.

“Këto kamera dyshohet se janë përdorur në vazhdimësi nga institucionet e sigurisë së Serbisë”, tha Elshani.

Policia ka identifikuar dy persona “të cilët janë me interes që të intervistohen nga ana jonë”, theksoi Elshani.

Edhe në të kaluarën, autoritetet e Kosovës kanë gjetur kamera vëzhguese në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në maj, dy kamera të tilla u gjetën të vendosura një rrugë malore në kufirin lindor me Serbinë, që dyshohet se ishin vendosur për vëzhgimin e rrugës nga kontrabandistët e dyshuar.

Po ashtu, në fund të vitit të kaluar Policia e Kosovës hoqi qindra kamera në komunat me shumicë serbe në veri. Paraprakisht, kamera ishin hequr edhe në Kllokot, Partesh dhe Ranillug – komuna me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër. REL

Serbi i arrestuar për spiunazh kishte qenë polic i Kosovës

Të mërkurën mbrëma, Prokuroria Speciale e ka ndaluar një person për spiunazh.

Aksioni u zhvillua në regjionin e Mitrovicës, pas një procesi disamujor të hetimeve të kryesuara nga Agjencia Kosovës për Inteligjencë dhe policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria kundër Terrorizmit.

Klankosova.tv mëson se i arrestuar është Aleksandar Vllajiq, i cili kishte qenë polic i Kosovës.

Po ashtu Klankosova.tv mëson se përveç kësaj, ai ishte i kërkuar për një sulm të kryer në veri, ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veriun e Mitrovicës.

Serbi është personi i tretë i ndaluar brenda pak kohësh nga autoritetet e Kosovës, si i dyshuar për spiunazh.

Nga janari deri në maj emigrantët dërguan në Kosovë mbi 510 milionë euro

Nga janari e deri në maj të këtij viti, emigrantët kanë dërguar 513.99 milionë euro në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore.

Vetëm gjatë majit, emigrantët dërguan mbi 119 milionë euro.

Rreth 120 milionë euro është vlera preliminare e dërgesave të mërgatës që janë sjellë në Republikën e Kosovës për muajin maj 2024.

Kështu thuhet në statistikat e remitancave dhe institucioneve të tjera financiare (jobanka) për muajin maj 2024 të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera totale e tyre për pesë muaj, sipas vlerësimeve preliminare, ka arritur në 513.99 milionë euro.

Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare jobankare (IFJB) me pjesëmarrje prej 56.31%, pasuar nga kanalet tjera me 23.34% dhe bankat me 14.98%.

Për sa u përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja tregon se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 318.62 milionë euro, duke shënuar rritje prej 1.62 milionë eurosh krahasuar me muajin paraprak.

Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.90 miliardë euro, e dominuar nga Letrat me Vlerë të Kapitalit me 78.14% të gjithsej aseteve.

BQK-ja tregon po ashtu se asetet e ndërmjetësve tjerë të financiarë në fund të muajit maj 2024 janë rritur për 11.42 milionë euro, duke arritur vlerën e 583.67 milionë eurove.

Asetet e bankave komerciale në fund të muajit maj 2024 kanë arritur vlerën në 7.40 miliardë euro, duke shënuar rritje për 0.25% krahasuar me muajin paraprak, kryesisht për shkak të rritjes së kredive bruto, të cilat në fund të muajit maj kanë arritur vlerën në 5.22 miliardë euro. Krahasuar me muajin paraprak kreditë bruto në maj 2024 janë rritur për 80.99 milionë euro ose 1.58%.

Vlera e kredive të reja në muajin maj 2024 ishte 232.94 milionë euro.

Norma mesatare e interesit në kredi në muajin maj 2024 ishte 6.14% (në prill 2024 ka qenë 6.07%)./MONITOR

Trajkoviç: ‘Kompromisi’ i Vuçeviçit është ndarja e Kosovës

Politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka deklaruar se gatishmëria e Serbisë për të bërë kompromise për Kosovën mund të nënkuptojë vetëm ndarje të atij territori, por edhe konflikte.

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Millosh Vuçeviq se Serbia është “gati të bëjë kompromise” për Kosovën, Trajkoviq i tha agjencisë Beta se kjo ishte një përpjekje e autoriteteve në Beograd për t’u kthyer në “pozitat e tyre fillestare” me qëllim të ndarjes së territorit, transmeton Telegrafi.

“Megjithatë, edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në thelb ia dorëzoi Prishtinës të gjitha institucionet dhe jetën e serbëve, funksionaliteti i autoriteteve të Prishtinës nuk është realizuar. Mesazhet që tregojnë për ndarjen e Kosovës paralajmërojnë destabilizimin e ri dhe një fushatë kundër Serbisë dhe serbëve që nuk na duhet në këtë moment”, tha ajo.

Trajkoviq theksoi se Albin Kurti kontrollon veriun e Kosovës me ndihmën e forcave speciale policore. Sipas saj, siguria në Kosovë çdo ditë e më shumë po rrezikohet. “Kurti zbaton ideologjinë e formimit të Shqipërisë së madhe, ndërsa Vuçiq përmes Vuçeviqit kërkon edhe një herë ndarjen e Kosovës. Të gjithë e dinë se kjo nuk mund të arrihet pa konflikt. Të dyja këto strategji mund të shkaktojnë një konflikt që do të përfundonte me dëbimin e serbëve nga veriu apo hyrja e forcave tona ushtarake në veri të Kosovës në emër të mbrojtjes së serbëve”, tha Trajkoviq.

Ajo shtoi se NATO po sjell një numër në rritje të ushtarëve në Kosovë. “NATO nuk dëshiron të ndryshojë kufijtë e territorit. Nëse Serbia do të bëhej anëtare e NATO-s, çështja e statusit të Kosovës do të ndalohej”, tha Trajkoviq.

Kryeministri serb Millosh Vuçeviq tha të martën se Serbia është “absolutisht e gatshme të bisedojë me Prishtinën” dhe të “bëjë kompromise” për Kosovën.

Vuçeviq i tha AFP se kompromis do të thotë se askush nuk fiton plotësisht dhe askush nuk humb plotësisht. “Është më mirë të ulemi, të takohemi, të flasim, të përpiqemi të flasim. Çdo gjë është më mirë se përshkallëzimi”, shtoi ajo.bw

Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Qeverisë për Ligjin për pagën minimale

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur t’i japë të drejtë Qeverisë së Kosovës për Ligjin për pagën minimale, të cilën e kontestuan deputetët e partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Në vendim, Kushtetuesja nuk gjeti se ka pasur shkelje në ligjet që kanë të bëjnë me personat paraplegjikë dhe tetraplegjikëdhe tha se ligji në fjalë i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, për shpallje.

“…njëzëri, të shpallë, që në bazë të nenit 43 (afati) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, i dërgohet presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ligji për pagën minimale është kundërshtuar nga opozita dhe personat që përfitojnë nga skemat pensionale për veteranët e luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.

Kjo pasi në këtë ligj nuk parashihet që paga minimale të lidhet me pensionin e veteranëve, një praktikë që ka ekzistuar në të kaluarën.

Ligji ka kaluar në dy lexime në Kuvend, të parim më 14 qershor 2022 dhe në lexim të dytë më 13 korrik të vitit 2023.

Ligji parasheh që paga minimale të arrijë vlerën e 264 eurove bruto për të gjithë të punësuarit, në sektor publik e privat.

Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.

Ndonëse paga minimale parashihet të rritet në 264 euro, veteranët do të vazhdojnë të marrin pension në vlerë 170 euro, sa është paga minimale momentalisht. REL

Në rrugën Prishtinë-Podujevë gjenden bomba të Luftës së Dytë Dotërore

Bomba që peshojnë rreth 50 kilogramë, janë gjetur në rrugën Prishtinë-Podujevë në fshatin Shakovicë. Forca e Sigurisë së Kosovës njofton se bombat SC-50 gjermane i përkasin Luftës së Dytë Botërore.

“Në një operacion të përbashkët ekipet e deminimit të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të ekipit të EOD-së, nga kampi Bondsteel i ushtrisë amerikane kanë larguar tri bomba SC-50 Gjermane të luftës së dytë botërore”.Tutje theksohet se bombat tashmë janë bartur në një vend të sigurt dhe do të demolohen sipas planifikimeve të ekipeve të deminimit.

“Bombat janë gjet gjatë punimeve në rrugën magjistrale Prishtinë-Podujevë në fshatin Shakovicë, ato janë bartur në vend të sigurt dhe do të demolohen sipas planifikimeve të ekipeve të deminimit”. sn

Wesley Clark nderohet me dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova” nga Lidhja Demokratike e Kosovës

VOA/Leonat Shehu

Ish komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, tha të dielën se Kosova ka shënuar përparim të madh 25 vjet pas çlirimit, ndërsa shprehu besimin për thellimin e lidhjeve të saj me Shtetet e Bashkuara.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, ku është nderuar me dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova” nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për rolin historik dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës.

Ai tha se shpreson që Kosova “do t’i forcojë lidhjet me Shtetet e Bashkuara dhe të shihet si mike e mrekullueshme”, tha gjenerali Clark, i cili përgjatë vizitës është takuar edhe me përfaqësues tjerë politik në Prishtinë.

Kosova këtë muaj shënoi 25 vjetorin e çlirimit. Më 12 qershor të vitit 1999 trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja hynë në Kosovë prej nga po largoheshin trupat serbe dhe që atëherë kjo kremtohet si dita e lirisë së Kosovës.

Ish komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, drejtoi fushatën 78 ditëshe të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999.

NATO-ja vlerësohet se ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës, e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.

Ish-Komandanti i NATO-s viziton Kosovën, takon krerët e dy partive më të mëdha opozitare

Gjenerali amerikan Wesley Clark ka nisur vizitën e tij në Kosovë me vizitat në dy partitë më të mëdha opozitare.

Mëngjesin e së dielës është pritur nga kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherazi kryetar i Mitrovicës, Bedri Hamza, në selinë e partisë. Hamza, pas takimit, tha se gjenerali Clark në vitin 1999 ishte shpresë e besim se liria e paqja po vinin.

“Ne, duke e nderuar të kaluarën e kemi ndërtuar të tashmen dhe po e krijojmë një të ardhme më të mirë për gjithë qytetarët tanë, pa dallime, gjithandej Kosovës. SHBA-ja dhe miqtë ndërkombëtarë, ata që nuk na braktisën kurrë, janë hisedarët kryesorë të sukseseve në 25 vjet liri dhe 16 vjet pavarësi. Kosova është shtëpi e çdo amerikani”, tha Hamza.

Më pas, ish-Komandanti Suprem i NATO-s që udhëhoqi fushatën ajrore kundër forcave serbe më 1999 për çlirimin e Kosovës shkoi në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Aty është pritur nga kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i cili i dha dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova”. Clark deklaroi se sa herë kthehet në Kosovë befasohet për progresin e bërë.

Ndërsa Abdixhiku falënderoi gjeneralin Clark për kontributin e tij në ndaljen e gjenocidit serb ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë.

“Gjeneral Clark, emri juaj është i gdhendur në themelet e historisë së Kosovës si simbol i guximit, lidershipit dhe i një përkushtimi të palëkundur për drejtësi dhe paqe”, tha Abdixhiku. sn

Begaj nis vizitën dyditore në Kosovë, do të nderojë ish-luftëtarët e UÇK

Presidenti i Republikës Bajram Begaj nisi sot një vizitë dyditore në Kosovë.

Sipas një njoftimi zyrtar, Kreu i Shtetit do të zhvillojë takime në 3 komuna: Deçan, Junik dhe Drenas.

Gjatë kësaj vizite, Presidenti Begaj do të nderojë, gjithashtu, ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë gjatë luftës.bw

Kosovë- 3500 lindje për gjysmë viti, rënie e lehtë e lindjeve krahas vitit të shkuar

Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Zef Ndrejaj, ka thënë se gjatë gjysmës së parë të këtij viti është vërejtur një rënie e lehtë e lindjeve krahasuar më vitin e kaluar. Ai ka thënë se deri më tani janë regjistruar rreth 3 mijë e 500 lindje, teksa i gëzohet edhe renovimit të klinikës në vlerë prej 5 milionë euro, transmeton Klankosova.tv.

“Në Klinikën Gjinekologjike është një rënie e vogël, e lehtë, jo e madhe, por ka rënie deri tash janë diku 3500 lindje deri në gjysmën e vitit. Ku duke krahasuar me vitin e kaluar aty është ndonjë numër i vogël në rënie, por jo shumë i rëndësishëm”, tha Ndrejaj.

Ai ka folur edhe për renovimet që janë bërë në këtë klinikë, shtimit të shtretërve, ndërsa së shpejti do të shtohet dhe shërbimi i fertilitetit (IVF).“Është bërë një renovim substancial shumë i rëndësishëm, një renovim që është me vite ka pasur nevojë, sidomos në repartet e lehonave pas lindjes dhe pas lindjeve me prerje cezariane dhe repartet e zyrës së pranimit dhe ambulantave specialistike. Është renovim i tërësishëm, ku janë shtuar përpos renovimin edhe disa shërbime, shërbimi i mjekësisë fetale dhe shërbimi i amiocentezës, pritet shumë shpejt të aktivizohet edhe shërbimi i fertilitetit apo IVF”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Ndrejaj u shpreh se në këtë klinikë nuk ka pasur ikje të mjekëve, sipas tij, klinika ka pasur mungesë të infermiereve por me hapjen e konkursit të ri për pranimin e 20 mamive të reja pritet që të përmirësohet gjendja.

“Deri tani nuk kemi asnjë mjek që ka shprehur dëshirën të shkojë. Më shumë kërkesat janë për mjekët e rinj që janë në specializim, ose në fillim të specializimit ose pas specializimit. Mirëpo mjekët të cilët janë të punësuar në Klinikën Gjinekologjike nuk ka asnjë mjek që ka shprehur dëshirën për të ikur. Klinika e jonë është më numër të mjekëve e mbuluar shumë mirë, kemi mjaftueshëm. Ndërsa pak kemi mungesë të numrit të infermiereve, të mamive. Por, edhe kjo do të përmirësohet shumë shpejt për shkak se është hapur konkursi këto ditë për pranimin e 20 mamive të reja edhe presim shumë shpejt që të përmirësohet edhe gjendja”, ka thënë ai.

Ushtarët grekë drejt Kosovës, i bashkohen KFOR-it

Një kompani me ushtarë grekë në kuadër të Batalionit të 2-të shumëkombësh të Forcës Rezervë Operacionale të KFOR-it, janë nisur nga Greqia për në kampin Bondsteel në Kosovë.

“Batalioni i II-të Shumëkombësh i Rezervave Operacionale përbëhet nga Komanda Shumëkombëshe me një staf përkatës, e cila përbëhet nga personel nga Greqia, Shqipëria, Bullgaria dhe Rumania dhe komanda e së cilës deri në dhjetor 2024 mbahet nga vendi ynë”, thuhet në njoftim.

Kjo është hera e dytë që forcat e ushtrisë greke zbarkojnë në Kosovë, pas zbarkimit të parë të ndodhur nga shtatori në dhjetor 2023. sn

Kurti viziton konsullatën në Hamburg: Ndërrimi i objektit, dëshmi për të mbrojtur imazhin e Republikës në botë

Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit në Gjermani ka vizituar edhe objektin e Konsullatës së Kosovës në Hamburg.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se objekti gjendet në njërën prej lagjeve më të bukura të qytetit.

“Gjatë qëndrimit në Hamburg vizitova objektin e ri të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, e cila gjendet në Rotherbaum në një nga lagjet më të bukura të qytetit, fiks përballë stacionit të metros Hallerstrasse U1 në adresën Rothenbaumchaussee 133 (20149 Hamburg)”, ka shkruar Kurti.

Sipas kryeministrit ndërrimi i objektit të konsullatës është një dëshmi se qeveria dëshiron të mbrojë imazhin e Republikës kudo në botë.

“Ndërrimi i objektit të konsullatës është një dëshmi e qartë e angazhimit të Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur imazhin e Republikës së Kosovës kudo në botë dhe për të ofruar shërbime sa më të mira konsullore për qytetarët tanë”.

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Hamburg, së bashku me pesë misionet tjera konsullore në Gjermani, përbën misionin më të madh diplomatik dhe konsullor të Republikës së Kosovës në botë.bw

Gjykata Themelore anulon vendimin për projektin në Gërmi

Një fushë e basketbollit shihet në mesin e pemëve të shumta që gjenden në Parkun e Gërmisë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

 

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CLS) bëri të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar padinë që ajo ngriti së bashku me organizatën joqeveritare “Qytetarët Aktivë” dhe ka anuluar vendimin e Komunës së Prishtinës për projektin “Parku i Aventurave”.

“Parku i Aventurave” ishte paraparë të ndërtohej në parkun e mbrojtur të Gërmisë, por me vendimin e fundit, Themelorja ka anuluar vendimin për lejen mjedisore për realizimin e projektit.

Paraprakisht, më 2021 Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur që të shtyhej ekzekutimi i vendimit të Komunës së Prishtinës lidhur me këtë projekt, deri në një vendim përfundimtar për këtë rast.

“CLS e vlerëson sukses tejet të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Supreme mbi pezullimin e lejes mjedisore të projektit ‘Parku i Aventurav’ dhe vendimin e fundit të Gjykatës Themelore për anulimin e vendimit për realizimin e këtij projekti. Vendimet e tilla konfirmojnë kundërligjshmërinë e ndjekur nga organet publike, mohimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për pjesëmarrje në vendimmarrjen mjedisore dhe rrezikun për degradimin e natyrës nga projektet të tilla si ‘Parku i Aventurave’”, tha GLS përmes një njoftimi për media.

Themelorja konstatoi se Komuna e Prishtinës gabimisht ka aplikuar bazën ligjore për lëshimin e lejes mjedisore për këtë projekt, përkatësisht është thirrur në një udhëzim administrativ për dhënien e lejeve mjedisore komunale. Por, projekte të tilla, sikurse “Parku i Aventurave”, sipas CLS-së, rregullohen me Ligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis.

“Gjykata i ka vlerësuar të drejta argumentet se Komuna e Prishtinës gjatë vlerësimit dhe miratimit të Projektit ‘Parku i Aventurave’ ka shkelur garancitë kushtetuese të qytetarëve duke ia mohuar të drejtën e pjesëmarrjes në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ata jetojnë”, u tha në njoftim.

“Parku i Aventurave” ishte paraparë të përfshinte një sipërfaqe prej rreth 70 ari dhe të shtrihej nga Butovci në drejtim të parkut të Gërmisë. Kur ishte prezantuar si projekt, Komuna e Prishtinës kishte thënë se parku do të ndërtohej duke përdorur metoda speciale që do të shmangnin dëmtimin e drurëve në Gërmi. REL

Gërvalla sot do të paraqesë qëndrimin e Kosovës për sigurinë në Evropë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka marrë pjesë në darkën e përbashkët të “Ministrave të Jashtëm të Danubit”, Ministrave të Jashtëm të “Miqve të Ballkanit Perëndimor” dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

Nga Vjena, Gërvalla përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se në takimin e së premtës do të paraqesë qëndrimet e Kosovës rreth sigurisë në Evropë dhe në rajon, shkruan RTK.

“Në takimin e nesërm do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sigurisë në Evropë dhe në rajon, reformat e thella të ndërmarra për sundim të ligjit, ngritjen e nivelit të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik, si dhe do të avokojmë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe nevojës së ndërmarrjes së veprimeve konkrete për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ministrja Gërvalla.

Një rrugë në Podujevë do të marrë emrin e ish-eurodeputetes Doris Pack

Komuna e Podujevës ka njoftuar se do ta emërtojë një rrugë në qytet me emrin e ish-eurodeputetes, Doris Pack.

Ceremonia e emërtimit do të mbahet sot në orën 14:00, transmeton Klankosova.tv. Sipas njoftimin, në këtë ceremoni pritet të marrin pjesë kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe ish-eurodeputetja, Doris Pack.

Ish-deputetja e Parlamentit Evropian u prit dje nga kryetari Shpejtim Bulliqi dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci. Pas takimit, Bulliqi deklaroi se në prag të 25-vjetorit të çlirimit të Podujevës Doris Pack po nderon këtë komunë dhe Kosovën me praninë e saj.

“Një punëtore e vyer, një eurodeputete e që ka bërë shumë për Kosovën dhe shqiptarët, dhe kënaqësia më e madhe është se tashmë komuna e Podujevës, ka marrë vendim që ta shpall qytetare nderi të komunës sonë dhe besoj se nga 19 qershori, Doris Pack, do të jetë banore më e re të komunës sonë”, tha Shpejtim Bulliqi, kryetar i komunës së Podujevës

Ndërsa ish-eurodeputetja Doris Pack, u shpreh se është e lumtur që po viziton komunën e Podujevës.

“Kam kënaqësinë që jam në Podujevë, sepse me Podujevën kam lidhje të veçantë për shkak se këtu e kam kuptuar se çfarë do të thotë të jetosh nën regjimin e aparteidit. Po ashtu kam kënaqësinë që u ktheva këtu, dhe dua të them se presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, ka qenë lider i cili ishte i njohur për paqen e tij, por Kosovës, i është dashur të shpërthejë me protesta për ta ndërkombëtarizuar çështjen e saj, dhe kjo u bë falë studentëve, dhe gjithçka kishte filluar në Podujevë”, tha ajo.

Kosovë, zbulohet shtatorja e Leotrimit të vogël në Skënderaj

Në Ditën e Çlirimit të Skenderajt zbulohet shtatorja e 7-vjeçarit të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ma nanë, mos um prek, se po kam dhimbje shumë…’ – Lufta e Leotrimit të vogël dhe frymëzimi i skulptorit

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka njoftuar se shtatorja është bërë gati për “Ditën e Çlirimit”. “Nga një lule për mirëseardhjen e Leotrimit, nesër në Ditën e Çlirimit!”, ka shkruar Nura në “Facebook”, njofton RTK.

Zbulimi i shtatores është paraparë të mbahet në 13:30 në oborrin e Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina” afër sheshit “Adem Jashari” në Skenderaj.

Leotrim Ahmeti si 7-vjeçar vdiq më 11 shtator 1998 në spitalin ushtarak në Gradicë të Drenasit, ku edhe u varros. Tetë muaj pas vrasjes së Leutrimit, si luftëtar ra dëshmor edhe babai i tij Malush Ahmeti.

Sot mbushen 25 vite nga çlirimi i Skenderajt nga forcat e armatosura serbe. Për të shënuar këtë ditë komuna e Skenderajt ka organizuar homazhe në Kompleksin përkujtimor  “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe në Marinë.

Do të mbahet një seancë solemne në Kuvendin e Komunës së Skenderajt.

Do të mbahet një Akademi përkujtimore për të nderuar dëshmorët dhe martirët e kësaj komune.

Gjithashtu, do të hapet një ekspozitë dhe  do të mbahet një koncert festiv për fëmijët.

Më 12 qershor shënohet përvjetori i hyrjes së forcave e NATO-s në Kosovë, ndërsa bombardimet kundër Serbisë kishin nisur më 24 mars 1999.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu kthimin e refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe në vende të ndryshme të botës.

Image

Kurti viziton shtëpinë – muze në Krushë të Madhe në 81-vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit

Sot shënohet ditëlindja e 81-të e aktivistit, filozofit e veprimtarit të njohur, Ukshin Hotit.

E me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në ngjarjen e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ku dhe ka vizituar shtëpinë – muze në Krushë të Madhe në nder të Ukshim Hotit, njofton Klankosova.tv.

Kurti u informua në lidhje me dokumentet shtesë që së shpejti priten të botohen si një libër.

 

Qeveria është ajo e cila do të jetë mbështetëse e këtij libri.

ASOCIACION KULTUROR PER MINORITETIN SERB NE KOSOVE- Nga SKËNDER MULLIQI

Zgjedhjet e reja ne BE, ku lavjerrësi ka lëvizur djathtas në pjesën më të mirë të Evropës, ndoshta do të ngjallin shpresat së do të këtë ndryshim ndaj kursit politikë në maratonen e bisedimeve Kosovë-Serbi, ku kjo strukturë evropiane nuk arriti të ballansojë procesin ,madje kohët e fundit doli hapur karshi interesave të Serbisë të Vuqiqit, që ishte befasi e madhe pas ndihmes në luftën për çlirimin e Kosovës .E favorizuan dhe e faktorizuan një regjim më klikën e krimineleve të luftës në pushtet, e që nuk justifikohet për qfardo interesi, apo nga frika prej Putinit dhe Vuqiqit të cilët po kërkojnë mw ngulm luftë .Disa janë skpetikë në fitorën e të djathtës në Evropë, duker aluduar në procesin e migrimeve , por kjo nuk është çështje kapitale sa është ruajtja e stabilitetit në Evropë dhe në Ballkan, që seriozihst po rrezikohen nga Rusia dhe Serbia. Mendoj, së e djathta do të jetë më e fuqishme duke i bërë pandam egresionit brutal e racist të Putinit dhe Vuqiqit për realizimin e ideve megalomane fashiste mbi baza etnike të “botës ruse” dhe të “botës serbe”.Unë e bëra këtu një hyrje edhe për faktin së Serbia, është duke e pa si rast jetik fitorën eventuale të Putinit në luftën në Ukrainë .Më Marrveshjën e Dejtonit, ku u arritë paqja në BH, prej tre entiteve, boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve, e kjo e fundit arriti më luftë nga Millosheviqi ta ketë Republika Serpska , e cila që shumë vite nga Millorad Dodik po kërkon shkëputje nga BH-ja.Vashingtoni zyrtar pas Kuvendit të mbajtur gjithëserb, bëri të ditur së nuk do të këtë shkëputje,të Repubkika Serpska, e cila në një aventurë të tillë do të zhbëhej.Në Kosovë, Vuqiqit ju shtuan apetitet për ndarje të Kosovës, sidomos pas marrveshjeve shumë të dëmshme të Brukselit të firmosura nga Thaqi dhe Mustafa në vitet 2013 dhe 2015.Qeveria e Albin Kurtit më të gjitha forcat është duke kundershuar një Asociacion të tillë më kompetenca ekzektuve , që po insiston BE përmes emisarëve special, Lajqak dhe Borrel, por kur gjë mangu nuk i la as emerikani Eskobar, duke kërkuar më ngulm nga pala e jonë implemtimin e tij, e që është zhbërje e shtetësisë të Kosovës.Vendit tonë ju vunë masat shumë të padrejta ekonomike , kurse Serbisë, ju servua në vend të shkopit të fortë për mos koperim më BE-në ,dhe më eskalim permenent të sitautës në veri nga Vuqiqi, më ndihmen e Putinit, që më luftë të bëjnë faktike ndarjen e Kosvës mbi baza etnike, që bie ndesh këtëcipërishtë më planin e Ahtisarit , kur vetë faktori ndërkombëtar,është proklamuar për një Kosovë multietnike.Pikërishtë këtë gjë e tha edhe Dale Pfeiffer, ish drejtori i USAID-it në Kosovë, duke dëklaruar se Asociacioni i Komunave më Shumicë Serbe , nuk është zgjidhje, dhe sipas tij, nese bëhët nuk duhet të këtë kompetenca ekzekuitive.Roli i Asociacionit vuri në dukje Pfeiffer, duhet të mbetet kulturor.Ky është elaborimi më korrekt që i është bërë temës tashmë irituese të Asociacionit nga ndërkombëtaret.E kamë thënë shumë më herë , që e tha edhe ish drejtori i USAID-it, së Kosova e ka Asociacionin dhe së në kuader të këtij duhet të jetë edhe asociacioni i minorittetit serb, dhe i të gjitha minoriteteve në Kosovë.Çka do të ndodhte më Kosovën e pavarur shtrohet pyetja logjike, nese të gjitha minoritetet kërkojnë asociacion të veqantë, që natyrishtë ka edhe kompetenca të veqanta?Sigurishtë së do të kishim një zhbërje totale të shprehem ashtu të shtetit të Kosovës.Formimi i një Asociacioni të veqantë vetëm për minoritetin serb, kjo nuk përkon më logjikën e ruajtjës të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.Edhe pyetja tjëtër.Pse Vuqiqi po këmbngulë në Asociacionin që na lanë si patate të nxehtë Thaqi dhe Mustafa, të implementohet?Sigurishtë që jo ta këtë kontrollin Prishtina Zyrtare , por Beogradi zyrtar siq e ka potencuar edhe ish drejtori i USAID-it.Ky implementim do të ishte nxitje për luftë jo vetëm midis shqiptarëve dhe serbeve, por edhe do kishte iplikim lufte në mbarë rajonin, duke i ditur së sa të theksuara janw sot problemet etnike në Ballkan.Minoriteti serb i cili po instrumnetalizohet nga politika destruktive e fashiste të Beogradit, duhet të integrohet në shtetin e Kosovës, duke pranuar realitetin e pakthyeshem të krijuar pas vitit 1999, kur ju dha fund luftës në ish-Jugosllav.Në këtë elaborim ish shefi i USAID-it, kritikoi më të drejtë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, duke thënë se po i bëjnë favore Serbisë . Krahas kësaj, Pfeiffer vuri në dukje se kërkesat e ndërkombëtarëve nuk janë në interesin e Kosovës dhe se duhet të pyesin pse po e bëjnë këtë, duke nënvizuar që një asociacion i tillë do të lishte direkt ndikimin politike , të Beogradit zyrtar.Unë thëmë , por që edhe ndërkombëtaret e dinë mirë, së një asociacion i tillë më komptenca ekzekutive , është fillimi dhe fundi i shtetit sovran tw Kosovws, që është e pa pa pranueshme për shqiptarët.Një asociacion çfare e ka propozuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti , sikur ai për serbet në Kroaci, është i pranueshem.Nuk duhet lejuar asnjë llojë tjetër asociacioni i cili bi ndesh me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.Së a do të këtë BE-ja një qëndrim më të unifikuar pas zgjedhjeve ,do të tregojë koha.Unë mendojë që do të kemi një qasje më ndryshe më të ballansuar, dhe pa hile siq pamë deri më tash nga BE-ja.Një propozim për ndërmjetës në bisedime e kemi sllovenin Pahor, e për emerime të tjera do të presim.Një shumicë e BE-së më të djathtën në krye , shpresohet së nuk do të lejon aventurat e rrezikshme të Vuqiqit dhe grupit të kriminelëve të luftës, për të reailizuar iden “ të gjithë serbët në një shtet”, siq u morën vesh klerofashistet më instrukcionet e Putinit, në Kuvendin Gjithë serb të zhvilluar ditë më parë në Beograd.

Ish-kreu i NATO-s dënon sulmin në Banjskë, Robertson: Siguria e Kosovës jashtëzakonisht e rëndësishme për Aleancën

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, thotë se e dënon pa rezerva sulmin terrorist të ndodhur vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit.

Duke kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, Robertson thekson nevojën që të ketë fund të dhunës në rajon dhe të ndryshojë imazhi i Ballkanit Perëndimor nga të qenit një zonë problematike në diçka që kontribuon në sigurinë më të gjerë evropiane.

Për këtë arsye, ai nënvizon se siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme për perëndimin dhe NATO-në. Megjithëse thotë se s’ka rrezik të një lufte të re në rajon, ai ngrit shqetësimin se nëse Rusia ka sukses në agresionin ushtarak ndaj Ukrainës, atëherë Ballkani Perëndimor do të jenë një zonë tjetër ku presidenti rus, Vladimir Putin do të bëjë telashe.

Robertson i cili ka qenë ministër i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë, thotë se siguria në Kosovë dhe rajon do të ketë rëndësi në të ardhmen, pasi do të sjell më shumë investime dhe ngritje të kapitalit për brezin e ri.

“Siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe kjo është arsyeja pse NATO përforcoi trupat e saj edhe këtu…Kjo është arsyeja pse siguria në këtë vend do të ketë rëndësi në të ardhmen, por edhe pse siguria ekonomike do të ketë rëndësi edhe për brezin e ri”, thotë ai, sipas KosovaPress.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor ka potencial të madh, andaj vendet perëndimore duan të shohin përfundimisht fund të dhunës në këtë zonë.

“Çdo dhunë duhet të dënohet dhe unë e dënoj atë pa rezerva. Por ne duhet të shohim përfundimisht një fund të dhunës në këtë rajon. Ky rajon ka potencial të madh, por duhet të ndryshojë imazhin e të qenit një zonë problematike në një zonë që kontribuon në sigurinë më të gjerë evropiane”, deklaron Robertson.

Ai thekson se pavarësisht tensioneve momentale, nuk ekziston një rrezik i luftës në Ballkanin Perëndimor, mirëpo sipas tij, Rusia po ndërhyn në rajon përmes luftës kibernetike.

Robertson shton se është shumë e rëndësishme që vendet evropiane të bashkohen për të siguruar që Putini të mos ketë sukses në Ukrainë.

Sipas tij, nëse Putin ka sukses në Ukrainë, atëherë Ballkani Perëndimor do të jetë një zonë tjetër ku ai do të bëjë telashe.

“Nuk besoj se ekziston rreziku i luftës në Ballkan, por Rusia po ndërhyn në këtë rajon ashtu siç po sulmon Ukrainën. Dhe kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që vendet evropiane të bashkohen për të siguruar që Putini të mos ketë sukses në Ukrainë. Nëse ai ka sukses në Ukrainë, atëherë Ballkani Perëndimor do të jetë një zonë tjetër ku ai do të bëjë telashe”, thekson Robertson.

Duke folur për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, Robertson thotë se anëtarësimi i plotë në i Kosovës në NATO, do të sillte paqe të qëndrueshme në rajon.

Megjithatë, ai thotë se anëtarësimi tashmë është çështje e strukturave aktuale të aleancës më të madhe ushtarake veri-atlantike.

“Anëtarësimi në NATO është çështje e organizatës së NATO-s. Unë jam një ish-sekretar i përgjithshëm, nuk kam asnjë kontroll mbi atë që po ndodh sot”, përfundon Robertson.

Ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, qëndroi në Kosovë gjatë kësaj jave në nderim të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës. bw

Foto nga festimet e 25 vjetorit të pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Shqipërisë – Kryeministri dhe Kryeparlamentari i Kosovës me Miq të Ngushtë duke kremtuar 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës

Pfeiffer: Asociacioni nuk është zgjidhje, ndërkombëtarët po i bëjnë favor Serbisë

Ish-drejtori i USAID-it në Kosovë, Dale Pfeiffer, thekson se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk përbën zgjidhje për situatën në Kosovë.

Pfeiffer theksoi se ky Asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe se roli i tij duhet të mbetet kulturor.

“Mendoj që komuniteti ndërkombëtar duhet të shkojë një hap prapa dhe të flasë me kosovarët për situatën, se si e shohin vendin e tyre, botën, problemet e tyre dhe si duhet të merren me Serbinë. Asociacioni nuk është një zgjidhje, ndoshta mund të bëhet një zgjidhje më vonë. Por është një program i gjatë për t’i bërë serbët të jetojnë të lirë, ta kenë vendin e tyre në shoqëri dhe të ndjehen rehat. Kjo do të kërkojë kohë. Serbia ka një mentalitet të rëndë, me propagandën mbi 20 vite, ku serbët kanë qenë dhe nuk ka pasur një nacionalitet tjetër tek këta”, ka thënë Pfeiffer në një intervistë për “FIVE” të Dukagjinit.

Ai kritikoi partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, duke thënë se po i bëjnë favor Serbisë në përpjekjet për të zgjidhur problemin.

Sipas tij, Asociacioni duhet të jetë vetëm një organ kulturor, që u jep serbëve mundësinë të shprehin brengat e tyre, por nuk duhet të ketë një autoritet ekzekutiv.

“Ata po mundohen t’i bëjnë favor Serbisë për të zgjidhur problemin. Asociacioni duhet të jetë kulturor, i cili serbëve duhet t’u japë mundësi që të shprehin brengat e tyre, që të mos jetë një Asociacion politik, dhe nuk duhet të ketë një autoritet ekzekutiv. Nëse keni një Asociacion, pse mos ta kemi një për të gjitha minoritetet dhe një Asociacion për shqiptarët që të merren me çështje kulturore”, ka shtuar Pfeiffer.

Krahas kësaj, Pfeiffer vuri në dukje se kërkesat e ndërkombëtarëve nuk janë në interesin e Kosovës dhe se duhet të pyesin pse po e bëjnë këtë. Ai nënvizoi se promovimi i pajtimit etnik kërkon shumë vite dhe se krijimi i një Asociacioni politik do të lejonte Serbinë të ndikojë në çështjet e brendshme të Kosovës.

“Po kërkojnë gjëra që nuk duhej të kërkonin dhe që nuk janë në interesin e Kosovës. Dhe duhet të pyesin pse po e bëjnë këtë, për të zgjidhur problemin. Më herët më është thënë të promovohet pajtimi etnik, për këtë duhet shumë vite… ju e krijoni një Asociacion, çka ka arritur kjo? Ju veçse e keni një Asociacion dhe Serbia do të influencojë dhe kjo duhet të ndalohet. Serbia duhet të ndalojë për të udhëhequr pjesën e Kosovës dhe serbët e Kosovës. Këta janë serbët e Kosovës, nuk janë serbët e Serbisë… Serbët e Kosovës janë viktima këtu… shteti serb duhet të ndryshojë,” ka thënë ndër të tjera Pfeiffer.

Ai ka kritikuar ndërkombëtarë edhe për vendosjen e masave ndaj Kosovës – të cilat u vendosën gjatë vitit të kaluar.

“Veprim i gabuar. Dhe është bërë një gabim dhe nuk e kanë pasur një ‘backgorund’ të duhur dhe Evropa duhet ta dijë se nuk është një vend i unifikuar”, ka shtuar ish-kreu i USAID-it në Kosovë.

Policia aksion në veri të Kosovës, sekuestrohen armë dhe eksplozivë, në pranga një person

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka kryer një kontroll në fshatin Uglarë të Zubin Potok, ku janë gjetur armë dhe mjete eksplozive si granata dore, armë të gjata, municione, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike.

Gjithashtu, Sveçla ka bërë të ditur se është arrestuar personi të cilit i janë gjetur armët dhe mjetet eksplozive.

“Vijon suksesshëm angazhimi ynë në ç’rrënjosjen e krimit dhe largimin e mbetjeve kriminale të Serbisë në vendin tonë. Armë dhe mjete eksplozive si granatë dore, armë e gjatë, municion, radiolidhje, antiplumba e pajisje teknologjike janë zbuluar sot nga Policia e Kosovës gjatë bastisjes në një lokacion në fshatin Uglarë të Zubin Potokut. Personit të cilit i janë gjetur këto armë e pajisje është arrestuar dhe lënda është proceduar në Prokurori”.

“Asnjë kompromis ndaj krimit, individëve apo grupacioneve që cenojnë sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve tanë. Nuk do të ndalemi së punuari në mbrojtje të interesave tona shtetërore, siguri ndaj vendit e qytetarëve tanë, sundim të rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë”, ka thënë Sveçla.bw

Kosova vendos sanksione kundër Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit

Qeveria e Kosovës ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe Bjellorusisë në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Moska, si dhe kundër Iranit për shkak të programin të saj raketor.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti votoi gjatë një mbledhjeje për miratimin e pakove 12 dhe 13 të sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.

Zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi, tha se masat kufizuese kundër Rusisë kanë të bëjnë me “minimin dhe kërcënimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, si dhe sanksione të tjera për shkelje të rënda dhe abuzime me të drejtat e njeriut në Rusi, që lidhen me vrasjen e liderit opozitar Alexei Navalny”.

Sanksionet kundër Iranit, tha ajo, prekin persona dhe subjekte të përfshirë në “aktivitetet e raketave bërthamore, apo balistike dhe personave dhe entiteteve që ofrojnë mbështetje për Qeverinë iraniane”.

BE-ja e miratoi pakon e 12-të të sanksioneve kundër Rusisë më 18 dhjetor 2023, ndërsa pakon e 13-të më 23 shkurt.

Ajo pako përfshin ndër të tjera masa për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh me vendet e treta për të penguar anashkalimin e sanksioneve, kufizime të mëtejshme në importet dhe mallrave që gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme për Rusinë, ndalimi i importit, blerjes, ose transferimit direkt ose indirekt të diamanteve.

Më 29 janar blloku e rinovoi sanksionet ekonomike edhe për gjashtë muaj ndaj Rusisë për agresionin ushtarak kundër Ukrainës.

Pakoja e 13-të përfshin, ndër të tjera, masa për individë dhe subjekte për veprime që cenojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin, dhe pavarësinë e Ukrainës.

Sanksionet prekin sektorët ushtarakë dhe të mbrojtjes, individë te lidhur, duke përfshirë ata që furnizojnë me armatim RDKV (Korenë e Veriut).

BE-ja i shtoi 27 entitete të reja në listën e atyre që mbështesin drejtpërdrejt kompleksin ushtarak dhe industrial të Rusisë në luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. sn

Ambasadori amerikan në Beograd, Hill: Njohja e Kosovës s’do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka shprehur bindjen se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE), por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të.

Në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN, Hill tha se evropianët po i kërkojnë Beogradit “pikërisht atë që thonë se po e kërkojnë, që është normalizimi” i marrëdhënieve, dhe shtoi se BE-ja dëshiron paqe dhe siguri në rajon, natyrisht edhe mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se ata e kanë thënë shumë qartë se ka vende anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, kështu që çështja e rëndësishme është të përpiqemi të arrijmë normalizimin ku ata kufij nuk do të jenë kufij që ndajnë, por kufij që bashkojnë, kufij që i bashkojnë ata realisht”, tha Hill.

Në prill, Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian e miratoi vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Ai theksoi se SHBA-ja mbështet synimet e Serbisë për t’u bërë anëtare e BE-së dhe po përpiqen ta ndihmojë atë “në këtë përpjekje, sepse është mjaft e qartë se Serbia do të jetë në Bashkimin Evropian në të ardhmen”.

Hill nënvizoi se SHBA-ja “e bëri shumë të qartë” se do të dëshironte që Serbia t’i bashkohej sanksioneve kundër Rusisë, por shtoi se Serbia “ka ndërmarrë gjithashtu disa hapa të rëndësishëm për t’ia bërë të qartë Rusisë se nuk pajtohet me agresionin që ajo po kryen kundër fqinjit të vet”.

“Ne kemi një dialog shumë të mirë me Serbinë. Dhe, po, Serbia ka marrë disa masa shumë konkrete për t’i bërë të ditur Rusisë se ajo që ka bërë në Ukrainë nuk mund të mbahet. Dhe, herët a vonë, Rusia do të duhet të arrijë një marrëveshje paqeje dhe të tërhiqet nga Ukraina. Unë mendoj se ne shkojmë mirë me Serbinë”, tha Hill.

Për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë, Hill tha se “kanë një dialog shumë të mirë, edhe pse nuk pajtohen për gjithçka; për shembull për Kosovën”.
“Por, ne jemi dakord për domosdoshmërinë e paqes dhe sigurisë në Evropë. Dhe, unë mendoj se jemi shumë dakord për faktin se agresioni rus kundër Ukrainës duhet të ndalet. Do të doja që ne të bëjmë më shumë. Unë mendoj se dy kombet tona kanë shumë të përbashkëta dhe do të doja që lidhjet tona të forcohen në vitet e ardhshme”, shtoi Hill.

Në lidhje me “kuvendin gjithëserb”, i cili u mbajt të shtunën në Beograd, Hill tha se “të gjithë duhet të kuptojnë se Marrëveshja e Dejtonit është baza e integritetit territorial të Bosnje e Hercegovinës (BeH) dhe integritetit territorial të entiteteve brenda BeH, si dhe se këto elemente të Dejtonit duhet të respektohen nga të gjitha palët”.

Hill shprehu shpresën se do të ketë gjykim “dhe njëfarë përgjegjësie” për sulmin e një grupi serbësh të armatosur kundër Policisë së Kosovës shtatorin e kaluar në veri të Kosovës, ku u vra një rreshter policor.

“Sigurisht që nuk ka qenë një ditë që ka ndihmuar interesat serbe dhe sigurisht që nuk ka ndihmuar as marrëdhëniet amerikano-serbe”, shtoi Hill.
Ai tha gjithashtu se SHBA-ja është “shumë e zhgënjyer” që në Qeverinë e Serbisë janë sërish dy persona të cilët janë nën sanksionet e SHBA-së – zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin dhe ministri pa portofol Nenad Popoviq.

“E shihni, unë duhet të shikoj se cila është mënyra më e mirë përpara për gjërat që po përpiqemi të bëjmë me Qeverinë e Serbisë. Dhe kur komentoni për individë në Qeverinë e Serbisë, nuk jam i sigurt se kjo është mënyra më e mirë. Përpara, sigurisht që kemi shprehur pikëpamjet tona për ata dy individë dhe mendoj se do ta lë mënjanë dhe do të vazhdoj me atë që po bëj këtu”, shtoi ai./REL

Robertson: Kurti e Vuçiq të gjejnë marrëveshje, ndryshe mund të gjendemi në situatën e tmerrshme të viteve ’90

Ish-sekretari i NATO-s, tashmë Lord George Robertson ka alarmuar palën kosovare dhe atë serbe, që të gjejnë një marrëveshje.

Në të kundërtën, ai thotë të dyja vendet mund të gjenden në situatën e tmerrshme të viteve ’90, gjë të cilën pohoi se askush s’do ta dëshironte, transmeton klankosova.tv.

”Jo vetëm besim. Detyrim. Po vendos detyrim mbi supet e tyre për të dëgjuar’’, u shpreh për rtv21, Lordi Robertson referuar kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

”Ju jeni dy persona që u jepni këshilla të drejta, të dobishme, ndoshta këshilla të pakëndshme kohë pas kohe”.

”Të dy duhet të gjejnë një marrëveshje sepse në të kundërt, e dini, mund të gjendemi përsëri në në natyrën e tmerrshme të marrëdhënieve gjatë viteve ’90. Kështu që askush nuk do të dëshirojë këtë për njerëzit”.

Hovenier i quan shprehje revanshiste deklaratat e të ashtuquajturit ‘Kuvend panserb’: Pavarësia e Kosovës nuk rinegociohet

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësim mbi deklaratën e Kuvendit të ashtuquajtur ‘’gjithëserb’’, me të cilën pretendohet se Kosova ‘’është pjesë e pandashme e Serbisë’’.

Ndaj kësaj deklarate, Hovenier reagoi ashpër duke konfirmuar se ky nuk është qëndrim i SHBA-së dhe partnerëve për Kosovën, duke theksuar se Pavarësia e saj nuk do të rinegociohet, transmeton klankosova.tv.

”Ne shprehim shqetësimin tonë për një deklaratë të një Kuvendi panserb që thotë se Kosova është në njëfar mënyre e kam harruar shprehjen që kanë përdorur më duket ‘pjesë e pandarë e Serbisë’”.

”Mund të them vetëm këtë se ky nuk është qëndrimi i vendit tim apo i partnerëve. E kemi njohur Kosovën, si vend të pavarur sovran, demokratik dhe kjo s’është për debat, e as nuk do të rinegociohet, duhet të pranohet dhe të kremtohet”.

”Dhe duhet të jetë pjesë e suksesit të rajonit bashkërisht. Dhe përkundër atyre shprehjeve revanshiste, asgjë nuk do të bëhet”.

Robertson: Lufta në Ukrainë kërcënim edhe për Ballkanin Perëndimor, rajoni të jetë në fokus të Samitit të NATO-s

Në Samitin për Ballkanin Perëndimor të Economist Impact ka folur edhe ish-Sekretari i NATO-së, George Robertson. Robertson ka thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë është një kërcënim ekzistencial për Perëndimin dhe gjithashtu edhe për Ballkanin Perëndimor, shkruan Gazeta Express.

“Sot ekziston një kërcënim ekzistencial për Perëndimin, përfshirë edhe Ballkanin perëndimor. Ky kërcënim mbulon gjithë kontinentin e Evropës”, ka thënë Robertson.

Ai ka përmendur përfshirjen Perëndimore gjatë viteve të 90-ta për të ndalur luftërat dhe spastrimin etnik të regjimit të Sllobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet se përfshirja e bashkësisë ndërkombëtare, ishte një bazë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik”, ka thënë ish-Sekretari i NATO-së.

Tutje Robertson ka përmendur edhe Samitin e NATO-s që do të mbahet në Washington përgjat 9, 10 dhe 11 korrikut dhe ka thënë se ky Samit duhet të fokusohet edhe në atë se çfarë po bën Rusia në Ballkanin Perëndimor, duke përmendur keqinformimin dhe ndërhyrjen në zgjedhje, raporton Express.

“Samiti duhet të fokusohet edhe për atë se çfarë po bën Rusia në Ballkanin perëndimor. Keqinformimi, ndërhyrja në zgjedhje, destabilizimi, shkatërrimi ekonomik, gjitha këto janë instrumente të Rusisë dhe agjencive të inteligjencës. E gjithë kjo do të jetë në vëmendje të ministrave në Washington”, ka thënë Robertson.

Në fjalën e tij, Robertson ka thënë se e ardhmja e rajonit është në duart e qytetarëve dhe të atyre që zgjedhin për t’i përfaqësuar./GazetaExpress/

Albin Kurti: Kosova prin në Ballkanin Perëndimor për rritje ekonomike dhe sundim të ligjit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova udhëheq në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, duke theksuar se në vitet e fundit është forcuar në shumë rrafshe.

Kurti ka deklaruar të martën në Samitin “Ballkani Perëndimor 2024” se Kosova është pozicionuar në rritje për të ardhmen, e përparim ka shënuar investimet e huaja direkte, në sektorin e kulturës, sportit, shëndetësisë dhe të arsimit.

“Kosova po udhëheq për rritje ekonomike dhe sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor. Pritet të ketë rritje të investimeve…Kosova ka shumë për t’i ofruar Bashkimit Evropian për siguri e partneritet, duke e forcuar demokracinë, zhvillimin ekonomik e mund  të krijojë një rajon që është i zhvilluar dhe lulëzon”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri Kurti ka shtuar se sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor është tejkalimi i paragjykimi historike, por që siç ka thënë ai, këto vende kanë dëshmuar se mund të arrijnë pajtim e dialog.

“Komunitetet në Kosovë po bashkohen të ndërtojnë një të ardhmen të mirë e ky shpirt i bashkëpunimit do të vazhdojë të lulëzojë. Kosova është e pozicionuar për rritje në të ardhmen”, u shpreh ai. sn

Hovenier: Dialogu duhet të përfundojë me njohje

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një sfidë që duhet tejkaluar vetëm me njohje reciproke dhe jo diçka më pak.

“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”, tha ai.

Duke folur në një panel të samitit “The Western Balkans 2024”, që po mbahet në Prishtinë, Hovenier theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ka një varg zyrtarësh amerikanë, përfshirë dhe mua, që kalojmë shumë kohë për zbatimin e plotë të obligimeve që Kosova dhe Serbia i kanë marrë në procesin e lehtësuar nga BE-ja”, tha Hovenier.

Dy vendet janë në negociata për më shumë se një dekadë, por shumë prej marrëveshjeve që kanë arritur, nuk i kanë zbatuar.

Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për mungesë gatishmërie.

Hovenier theksoi edhe një herë qëndrimin e tij se nuk pajtohet me një deklaratë – të miratuar më 8 qershor nga Serbia dhe entiteti serb i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska – në të cilën Kosova trajtohet si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

“Ky nuk është qëndrim i vendit tim apo i partnerëve. Ne e kemi njohur Kosovën si vend të pavarur demokratik dhe kjo nuk mund të diskutohet”, tha Hovenier.

Të njëjtën gjë ai e tha edhe një ditë më herët, duke kujtuar se SHBA-ja e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe se ajo do të mbetet prapa këtij qëndrimi “me krenari”. REL

Kurti: Problemin e kemi me Beogradin, jo me serbët e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e drejtuar prej tij nuk ka problem me serbët e Kosovës, por me Qeverinë e Serbisë.

Duke folur në samitin “The Western Balkans 2024”, të martën në Prishtinë, Kurti tha se integrimi i serbëve të Kosovës në institucionet e vendit, është çështje parësore për të.

“Problemi që kemi, nuk ka të bëjë me serbët. Problemin e kemi me Beogradin, i cili nuk u distancua as nga Millosheviqi i së kaluarës e as nga Putini i së tashmes”, tha Kurti duke iu referuar ish-presidentit jugosllav dhe presidentit aktual rus.

Serbët në veri të Kosovës, të ndikuar nga Beogradi dhe strukturat e tij paralele në Kosovë, kundërshtojnë vazhdimisht autoritetin e Qeverisë në Prishtinë.

Shpesh organizojnë protesta ose bojoktojnë vendimet e autoriteteve kosovare.

Në nëntor të vitit 2022, ata dolën nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së vendit për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Kurti tha të marën se Kosova po bën tashmë konvertimin e patenshoferëve, diplomave e targave të makinave, si hapa për integrimin e komunitetit serb.

Por, Qeveria e tij është nën presionin e ndërkombëtarëve për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia u dakorduan qysh në vitin 2013.

Marrëveshja mes tyre u miratua edhe në Kuvendin e Kosovës, por Gjykata Kushtetuese konstatoi më pas se ajo ishte jokushtetuese, meqë nuk përfshinte edhe etni të tjera.

Pavarësisht garancive nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, Kosova nuk e zbatoi marrëveshjen nga frika se një asociacion i tillë do të ndikonte në funksionimin e shtetit.

Serbia, e cila e konsideron Kosovën ende pjesë të veten, nuk ka zbatuar ngjashëm një varg marrëveshjesh me Kosovën. REL

Maqedonci: Më 13 qershor Kosova bëhet pjesë e koalicionit për deminimin e Ukrainës

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se më 13 qershor, Kosova do të bëhet pjesë e koalicionit për deminimin e Ukrainës.

Tutje ministri tha se ky koalicion do të nënshkruhet bashkë me Lituaninë.

“Kosova në vazhdimësi është duke e ndihmuar Ukrainën. Unë si ministër i Mbrojtjes, së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës marrim pjesë në takimet e grupit të kontaktit për Ukrainën, Këto takime mbahen zakonisht në Bruksel. Duke qenë pjesë e këtyre takimeve jemi të vetëdijshëm që jemi pjesë e përgjegjësisë që kërkohet nga secili anëtarë i grupit të kontaktit për mbështetjen e Ukrainës”, tha ministri në Edicionin Special.

“Ne kemi realizuar disa trajnime në fushën e deminimit, këtu në Kosovë për trupat ukrainase. Në vazhdimësi jemi duke e mbajtur një ekip, një kontingjent trajnues në Mbretërinë e Bashkuar, si pjesë e operacionit “Itnerflex””.

“Instruktorët tanë janë duke dhënë më të mirën, dhe duke prezantuar në mënyrën më të mirë, jo vetëm ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe Republikën e Kosovës në tërësi”.

Maqedonci ka përmendur edhe pakot mbështetëse që Kosova i ka bërë Ukrainës.

“Një ditë pas çlirimit të Kosovës, më 13 qershor, unë do të jem pjesë e grupit të kontaktit për Ukrainën, dhe para këtij takimi do të nënshkruajmë së bashku me Lituaninë një letër të qëllimit, më të cilën Kosova bëhet pjesë e koalicionit të deminimit ku janë edhe disa vende të tjera të NATO-s për kontributin ndaj Ukrainës”, u shpreh Maqedonci. sn

Kurti me drejtorin e Qendrës Memoriale të Gjenocidit të Srebrenicës: Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (djathtas), takohet me drejtorin e Qendrës Memoriale të Gjenocidit të Srebrenicës, Emir Sulljagiq, Prishtinë, 10 qershor 2024.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në një takim të hënën në Prishtinë drejtorin e Qendrës Memoriale të Gjenocidit të Srebrenicës, Emir Sulljagiq, ku u bë thirrje që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj, tha Zyra e tij në një njoftim.

“Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë Sulljagiqit në 25-vjetorin e çlirimit të vendit tonë dhe përfundimit të spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, thuhet në një njoftim të Zyrë së Kurtit.

Të hënën në Kosovë u shënua 25-vjetori i përfundimit të luftës dhe i çlirimit të vendit.

“U tha se për paqe në Ballkan, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të mbahet përgjegjëse për krimet, masakrat dhe gjenocidet e kryera, dhe që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës”, sipas njoftimit.

Sulljagiq është i mbijetuar i këtij gjenocidi të kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995 në Srebrenicë, në të cilën u vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë.

Krimi në Srebrenicë njihet si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.

Më 23 maj, anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratuan rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

“Duke vlerësuar miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, kryeministri rikujtoi se Kuvendi i Kosovës ka miratuar në korrikun e vitit 2021 një rezolutë të posaçme e cila e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë”, theksoi Zyra e Kurtit.

Sulljagiq shprehu “mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë” që po i bëhet në Kosovë, si dhe ritheksoi potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, thuhet në njoftim.

“Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës dhe memorandumi i bashkëpunimit që pritet të nënshkruhet”, thuhet në njoftim.

Kurti e theksoi “përkushtimin e Qeverisë për procese gjithëpërfshirëse të drejtësisë tranzicionale, si dhe finalizimin e Strategjisë së parë të Republikës së Kosovës për Drejtësi Tranzicionale”. REL

Tony Blair: Bombardimet e NATO-s 25 vjet më parë ishin gjëja e duhur

VOA/Leonat Shehu

Ish kryeministri britanik, Tony Blair, tha të hënën se bombardimet e NATO-s 25 vjet më parë kundër forcave jugosllave për të ndalur dhunën në Kosovë, ishin gjëja e duhur për t’u bërë.

“Ne ndihmuam, dhe nuk jam penduar kurrë”, tha ai.

Ish kryeministri britanik, i cili në Kosovë vlerësohet si një nga personalitetet kryesore që nxitën fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, i bëri këto komente gjatë një fjalimi në parlamentin e Kosovës në kuadër të veprimtarive për shënimin e 25 vjetorit të çlirimit të saj.

“Kosova më në fund u çlirua. Njerëzit janë në gjendje të jetojnë përsëri, të shpresojnë përsëri, të besojnë përsëri në një shoqëri të ardhshme të lirë dhe të drejtë, të lirë nga shtypja dhe padrejtësia”, tha ai.

Ish kryeministri Blair tha se 25 vjet më parë kishte negociata të tensionuara politike dhe angazhim të jashtëzakonshëm diplomatik për të ardhur deri te çlirimi i Kosovës. Ai tha se lufta për t’i dhënë fund dhunës në Kosovë ishte për të gjithë botën, përfshirë edhe vendin e tij që beson se për liri dhe drejtësi, një luftë që ia vlen të luftohet.

“Sikur të kishim lejuar që Kosova dhe populli i saj të vazhdonin të brutalizoheshin, t’u hiqen të drejtat, t’u vidhet e ardhmja, e ardhmja jonë në vende si imi do të ishte pakësuar. Prandaj për mua ishte lufta për Kosovën jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë ne”, tha zoti Blair.

Në Prishtinë vlerësohet se NATO-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt por edhe rindërtimin e Kosovës e cila doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se zoti Blair ishte vendimtar për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës si dhe hero i lirisë dhe demokracisë edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe dhe gjithë përkrahjen që ja keni dhënë Kosovës gjatë këtyre 25 viteve. Në prill ë vitit 1999 ju e keni cilësuar intervenimin në Kosovë si një kauzë të drejtë, e tillë ishte siç është dëshmuar atëherë e tillë dëshmohet edhe sot sepse në pyetje ishte vetekzistenca e një populli”, tha presidentja Osmani.

Me 12 qershor të vitit 1999 NATO-ja filloi operacionin e vendosjes së trupave paqeruajtëse në Kosovë, pas një fushate 78 ditëshe të bombardimeve ndaj forcave serbe, që po atë ditë filluan largimin nga Kosova, duke i dhënë fund luftës gati dy vjeçare. Atëbotë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 110 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska.

Kurti: 2024 është vit i integrimit të komunitetit serb

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se viti 2024 është vit i integrimit të komunitetit serb.

Ai ka thënë se brenda pesë muajve, autoritetet e Kosovës i kanë lëshuar më shumë se 7.000 pasaporta të Kosovës, 6.800 letërnjoftime dhe 1.100 patentë-shoferë, në komunat me shumicë serbe.

“Ndërrimi i patentë-shoferëve joligjor me ata RKS është duke vazhduar mirë. Për më shumë, 159 biznese të reja janë regjistruar në Agjencinë për Regjistrim të bizneseve në katër komunat në veri”.

Kryeministri Kurti ka thënë se këto shifra janë rezultat i besimit që “një shtet i bashkuar është një shtet i fortë”.

Në fillim të majit, Qeveria e Kosovës pati njoftuar se Ministria e Brendshme e Kosovës ka nxjerr vendim që u mundëson qytetarëve të konvertojnë patentë-shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare, të lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Mirëpo, përgjatë kësaj periudhe, Perëndimi i ka kritikuar autoritetet e Kosovës për marrjen e disa vendimeve që kanë prekur minoritetin serb.

Në mesin e vendimeve është edhe ai Bankës Qendrore të Kosovës për zbatimin e një rregulloreje që përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave në para të gatshme.

Kështu, banorëve në komunat me shumicë serbe u është pamundësuar përdorimi i dinarit.

Komuniteti ndërkombëtar ka vlerësuar që vendimi është marrë pa një përgatitje adekuate dhe që ka ndikuar negativisht në përditshmërinë e këtij komuniteti.

Serbia deklaron se ndan ndihmë për serbët në Kosovë në vlerë të miliona eurove, dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Kur përmendet komuniteti serb, faktori ndërkombëtar insiston secilën herë e më shumë që Kosova duhet të formojë sa më shpejt Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Bashkimi Evropian ka përsëritur disa herë se zgjidhja e të gjitha problemeve mes dy vendeve, është faktor tejet i rëndësishëm për rrugën e tyre evropiane. REL

Policia arreston një rus në Zveçan për kalim ilegal të kufirit

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se e ka arrestuar një shtetas të Rusisë në fshatin Grizhan të Zveçanit, pasi është vërtetuar se ai nuk ka hyrë në Kosovë në mënyrë të rregullt.

Arrestimi është kryer më 7 qershor, dhe është publikuar në raportin 24-orësh të Policisë.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Më 13 maj të këtij viti, Policia e Kosovës pati dëbuar dy shtetas tjerë rusë, të cilët ishin ndaluar në datën 6 të atij muaji, gjithashtu, për kalim ilegal të kufirit.

Të gjithë shtetasit rusë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, të cilët duan të hyjnë, kalojnë transit apo qëndrojnë në Kosovë, duhet të pajisen me vizë.

Ky vendim është marrë nga viti 2022.

Deri atëherë, qytetarëve rusë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare u është lejuar hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 15 ditë në territorin e Republikës së Kosovës pa vizë.

Rusia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Megjithatë dy vendet kanë marrëdhënie formale. Zyra Ndërlidhëse ruse në Prishtinë është hapur qysh në vitin 2005, edhe pse veprimtaria e saj në publik është e shfaqur fare pak. REL


Send this to a friend