Dorentina Kastrati
Instituti i Mjekësisë Ligjore i Lozanës në Zvicër në ekspertizën mbi vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren, ka dhënë komentet se pse vdekja e Deharit ka pak mundësi të jetë vetëvrasje.
“Në rastin e z.Dehari, nëse e pranojmë hipotezën e vetëvrasjes, të dy metodat do të ishin përdorur në mënyrë sekuenciale, e para ka të bëjë me përdorimin e një objekti të mprehtë në pjesën e qafës dhe të kyçit të majtë dhe e dyta ka të bëjë me ngufatjen e llojit smithering me një shishe të plastikës. Megjithatë kjo hipotezë duket pak e mundshme për arsyet e më poshtme”, thuhet në raportin e Institutit zviceran.
Hipotezën e vetëvrasjes në rastin e Deharit, Instituti e ka vlerësuar si pak të mundshme për tri arsye të ndryshme.
“Së pari, lëndimet cervikale dhe të kyçit ishin shumë sipërfaqësore, që nuk tregonin përcaktime të vërteta të aktit vetëvrasës, e dyta, teoria e vetëvrasjes komplekse të paplanifikuara që ka dëshiruar z.Dehari, duke parë këtë tentativë të pasuksesshme, e zgjedh metodën e dytë të vetëvrasjes më vdekjeprurëse, çfarë nuk ishte rasti, si e tretë, kjo lloj vetëvrasje kryesisht haset tek pacientët psikiatrikë pra që z.Dehari nuk paraqiste asnjë paraardhje psikiatrike dhe nuk paraqiste shenja të depresionit”, vazhdon raporti i Institutit zviceran mbi vdekjen e Deharit.
Më poshtë mund të lexoni komentet për rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit nga Instituti zviceran:
Në bazë të të gjitha këtyre konstatimeve, duke u bazuar mbi të dhënat e literaturës, ne mund të bëjmë komentet e mëposhtme:
…Vetëvrasja komplekse mund të ndahet në “të planifikuar” ose të “paplanifikuar” në funksion të përdorimit të njëkohshëm ose sekuenciale të metodave respektive. Në vetëvrasjet komplekse të paplanifikuara, mortaliteti i metodës së parë është i dobët në të shumtën e rasteve dhe për shkak të dhimbjes dhe të frustrimit për dështimin e metodës së parë, një metodë shtesë më shkatërruese është përdorur. Në rastin e z.Dehari, nëse e pranojmë hipotezën e vetëvrasjes, të dy metodat do të ishin përdorur në mënyrë sekuenciale, e para ka të bëjë me përdorimin e një objekti të mprehtë në pjesën e qafës dhe të kyçit të majtë dhe e dyta ka të bëjë me ngufatjen e llojit smithering me një shishe të plastikës. Megjithatë kjo hipotezë duket pak e mundshme për arsyet e më poshtme:
Së pari, lëndimet cervikale dhe të kyçit ishin shumë sipërfaqësore, që nuk tregonin përcaktime të vërteta të aktit vetëvrasës, e dyta, teoria e vetëvrasjes komplekse të paplanifikuara që ka dëshiruar z.Dehari, duke parë këtë tentativë të pasuksesshme, e zgjedh metodën e dytë të vetëvrasjes më vdekjeprurëse, çfarë nuk ishte rasti.
Në fakt ai është kthyer drejt një ngufatje të vetë-shkaktuar, një metodë komplekse, efikasiteti i dobët është shumë i rallë (kjo lloj ngufatje vetëvrasëse është përshkruar në literaturë vetë në raste të rralla), si e tretë, kjo lloj vetëvrasje kryesisht haset tek pacientët psikiatrikë pra që z.Dehari nuk paraqiste asnjë paraardhje psikiatrike dhe nuk paraqiste shenja të depresionit.
Ndër të tjera sipas njohurive tona, kurrë nuk është përshkruar në literaturë vetëvrasja komplekse që implikon ngufatje të llojit smithering e paraprirë nga përdorimi i një objekti të prehtë.
Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës i është dorëzuar sot familjes së Astrit Deharit nga Prokuroria e Shtetit.
Prokuroria e Prizrenit ka thënë se nevojitet një hetim i ri për të qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Në ditën kur i dorëzoi raportin e ekspertizës familjarëve të ish-aktivistit të Vetëvendosjes, i cili u gjet i vdekur në dhomën e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Prokuroria tha se duhet të kihet parasysh edhe ndërhyrja e një personi të tretë në ‘procesin fatal’.
Në qelinë A3 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku ishte gjetur pa shenja jete anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte edhe një person me emrin Frrok Laski.
Sipas raportit të mjekësisë ligjore zvicerane, i publikuar sot nga familja Dehari dhe avokati i saj, Tomë Gashi, tregon edhe deklaratat e shokut të dhomës së Astrit Deharit.
Naser Makolli, ish- cimeri i Astrit Deharit, e kishte përshkruar Astritin si një njeri të qetë, të lumtur, që nuk paraqiste asnjë çrregullim, asnjë frikë apo shqetësim dhe se i njëjti asnjëherë nuk e kishte përmendur se do të mund t’i bëjë diçka vetes.
Edhe Makolli gjashtë muaj më pas ishte gjetur i vdekur në qeli në Burgun e Lipjanit ndërsa analizat e raportit të tij nuk u lexuan asnjëherë për shkak se i njëjti nuk kishte arritur që të bënte një analizë të fundit.
Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte njoftuar se Naser Makolli dëshmitari kyç dhe ai i cili e kishte gjetur i pari Astrit Deharin të shtrirë për toke, kishte vdekur si pasojë e një sëmundjeje shëndetësore.
Për çfarë po mbahej në burg Astrit Dehari?
Në minutat e parë të 5 gushtit të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës ishte sulmuar me një granatë anti-tank.
Policisë iu dashtë një muaj kohë që të identifikoj dhe arrestojë pesë persona, ku më pas u bë publike se të arrestuarit ishin aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Astrit Dehari, Adea Batusha, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti e Atdhe Arifi ishin pesë të dyshuarit për sulmin me anti-tank ndaj Kuvendit.
Për sulmin të dyshuarit po mbaheshin në paraburgim pas kërkesës së Prokurorisë.
Në lidhje me sulmin ndaj Kuvendit u ngrit edhe aktakuzë. Të dyshuarit po dyshoheshin se kanë kryer veprën penale të terrorizmit.
Marrëveshja e demarkacionit ka kaluar, një person ishte liruar nga dyshimi për kryerjen e sulmit, katër të tjerë u gjykuan, e Astrit Dehari asnjëherë nuk dëgjoi gjykimin e tij për çka edhe u arrestua dhe u dërgua në paraburgim për të dalë i pajetë nga ai.
Si vdiq Astrit Dehari?
Tre muaj pas sulmit të kuvendit, më 5 nëntor 2016, një lajm mori vëmendjen e të gjithëve, pasi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana të paqarta kishte vdekur një 26 vjeçar emri i të cilit u bë publik nga vetë partia të cilës i përkiste Astrit Dehari, Lëvizja Vetëvendosje.
Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.
Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.
Raportin e plotë në gjuhën shqipe mnd ta lexoni KËTU.
Raportin e plotë në gjuhën frënge mund ta lexoni KËTU.