VOAL

VOAL

‘3 brigada serbe shumë afër kufirit’- Ministri i Mbrojtjes i Kosovës jep alarmin për destabilitet

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës Ejup Maqedonci ka dhënë alarmin për destabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë në A2 CNN, Maqedonci tha se tri brigada serbe janë shumë afër kufirit me Kosovën, duke përbërë një kërcënim për paqen dhe sigurinë jo vetëm në rajonin ballkanik por edhe më gjerë. Sipas tij Serbia po rrit buxhetin për mbrojtjen dhe me armatime nga Rusia, Kina e Irani.

“Kryeministri Kurti e ka thënë shumë herë që militarizimi i Serbisë paraqet kërcënim të përhershëm për paqen e stabilitetin jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë. Ky militarizim po bëhet në vazhdimësi. Kemi një rritje të buxhetit për mbrojtjen në Serbi. Një pajisje me sistem armatimi nga Rusia, Kina e Irani. Një zbarkim i trupave serbe jo larg territorit tonë tre nga 4 brigada serbe janë vendosur në jug të Serbisë, jo shumë larg kufirit me Kosovën. Këto 3 brigada kanë tejzgjatje operacionale 28 baza ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë që janë në distancë nga 300 metra deri 5 km larg kufirit të Kosovës. Duke i shtuar mbështetjes që i kanë dhënë grupit të Raidoçiç vitin e kaluar më 24 shtator në tentativën e tij, për të aneksuar pjesë nga territori ynë, ne vlerësojmë që Serbia vazhdon të jetë kërcënim për paqen dhe sigurinë, jo vetëm për Ballkanin perëndimor, por edhe më gjerë”.

Raportimet në shtypin serb se Beogradi ka thirrur rezervistët për stërvitje masive në mënyrë që të jetë i përgatitur për emergjencë kombëtare, ai tha se kjo është pjesë e armatimit të Serbisë për t’i shfrytëzuar për destabilizim.

“Kjo është pjesë e armatimit të Serbisë. Serbia po tenton të rrisë edhe personelin ushtarak që ti përgatisë për ndonjë momentum të caktuar që t’i shfrytëzojë për çështje të destabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Serbia ka probleme me rekrutimin e personelit për forcat e saj të armatosura dhe po tenton që përmes presionit t’i detyrojë të paraqiten”.

Lidhur me avancimin e Kosovës si anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Maqedonci theksoi se vendi i tij është i përgatitur për të qenë pjesë e strukturave të aleancës.

“Kosova është e përgatitur për të qenë pjesë e strukturave të NATO-s. Forcat tona janë duke u stërvitur. Vendi ynë ka treguar se ne e meritojmë të jemi drejt anëtarësimit. Kosova është e vendosur për të ecur drejt rrugëtimit në NATO e BE”.

ASK: Kosova pritet t’i ketë 1.6 milionë banorë

Kosova pritet t’i ketë 1.6 milionë banorë, ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në një konferencë për media.

Ushtruesi i Detyrës së drejtorit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati, ka deklaruar se të dhënat zyrtare do të publikohen kah mesi i muajit korrik.

“Të dhënat publikohen në pjesën e parë të muajit korrik, por në bazë të ditëve të fundit të mbarimit të procesit, edhe shtesa që ka qenë, pritjet janë që Kosova t’i ketë rreth 1.6 milionë banorë”, ka thënë ai të hënën.

Kastrati njoftoi se në tërë procesin e regjistrimit të popullsisë janë përfshirë rreth 5.100 persona.

ASK-ja u bëri të ditur se të gjitha të dhënat e tjera do të publikohen në korrik, derisa procesi u tha se ka shkuar kryesisht pa probleme.

Sulmi në Banjskë- KFOR-i e mohon, por kush negocioi për largimin e Raodiçiçit me terroristët e tjerë nga veriu i Kosovës

Më 24 shtator 2023, Banjska u bë qendra e një sulmi ndaj Policisë së Kosovës, që tronditi komunitetin lokal dhe tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare. Në këtë ngjarje tragjike, e cila përfshiu përleshje të armatosura midis forcave të sigurisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur të paidentifikuar, humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku si dhe tre prej sulmuesve serb.

Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve të Kosovës – pranoi përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi të armatosur. Pasojat e këtij sulmi po vazhdojnë edhe sot, ndërsa autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare po hetojnë shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë akt të rëndë. Së fundmi lidhur me këtë ngjarje International Crisis Group ka dalë me një draft-raport, ku theksohet se KFOR ka negociuar për tërheqjen e paramilitarëve serbë nga Banjska.

“Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”, thuhet në këtë raport, i cili u citua në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s të mbajtur dy ditë më parë, raporton tg.

E ndaj të gjeturave të këtij raporti ka reaguar misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR. KFOR-i në një reagim publik thotë se ky raportim është i pasaktë. “Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”, vijon komunikata. Pasi u thirr për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i thotë se u koordinua ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendosur sigurinë në zonë. “Dhuna që ndodhi në Banjska erdhi pas një sulmi kundër paqeruajtësve të KFOR-it në maj të vitit 2023, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”.

KFOR-i thotë se NATO ka mbajtur gjithmonë qëndrimin se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të përballen me drejtësinë. Kujtojmë se organizata ndërkombëtare policore INTERPOL tashmë ka lëshuar një urdhër arresti për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe 11 persona të tjerë për sulmet terroriste të 24 shtatorit në Banjskë.

Kurti: Të dhënat nga regjistrimi i popullsisë, bazë për vendime më të mira

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rezultatet e regjistrimit të popullsisë do t’iu mundësojnë institucioneve që të krijojnë politika, strategji dhe të marrin vendime më të mira për zhvillim më të qëndrueshëm.

Këto deklarata Kurti i bëri gjatë ceremonisë së mbajtur më 25 maj për shënimin e përfundimit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë.

“Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë”, tha Kurti.

Regjistrimi i popullsisë nisi më 5 prill. Fillimisht ishte caktuar që të përfundonte më 17 maj, por pas kërkesave të disa komunave, procesi u shty deri më 24 maj.

Gjatë këtij procesi, edhe diaspora ka mundur të regjistrohet përmes një platforme online.

Agjencia e Statistikave të Kosovës e vlerësoi të suksesshëm procesin e regjistrimit.

“Regjistrimi i popullsisë, si një nga projektet më madhore dhe më komplekse të një vendi në kohë paqeje, përkundër sfidave dhe kompleksitetit që ka pasur, u realizua me shumë sukses. Suksesi është arritur falë bashkëpunimit dhe koordinimit që ka pasur ASK-ja me institucionet e tjera [vendore e ndërkombëtare]”, u tha në njoftimin për media të ASK-së.

Më 5 prill, kur edhe filloi regjistrimi – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.
Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

Krasniqi u kërkon liderëve partiakë të shpërndajnë Kuvendin

Memli Krasniqi, kryetari i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, tha se përmes një letre dërguar krerëve partiakë në pushtet dhe opozitë, ka kërkuar që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen sa më shpejt.

Krasniqi tha se u ka dërguar letër kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradianj, për të koordinuar hapat që të shpërndahet Kuvendi i Kosovës në mënyrë vendi të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi ka mbajtur takime me përfaqësuesit e partive politike parlamentare për të diskutuar për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Sipas tij, zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.

Por, partitë ende nuk kanë gjetur pajtim për formën se si të shkohet në zgjedhje.

PDK-ja kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, e cila paraprakisht kërkon mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mocionin, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.

LDK-ka kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shkarkimit të Qeverisë apo dorëheqjes së saj dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit. Kërkesë të ngjashme ka edhe AAK-ja.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së ekzekutivit aktual.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar. REL

Shtyhet debati në Kuvend për Qeverinë Kurti

Kuvendi i Kosovës ka dështuar që të zhvillojë seancën për të diskutuar qeverisjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në mungesë të deputetëve dhe dakordimit mes partive.

Seanca është shtyrë, por nuk është bërë e ditur data e re.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AA) Besnik Tahiri, ka thënë se seanca është kërkuar për të zhvilluar “një ballafaqim të vërtetë” mes opozitës dhe kryeministrit.

Vetë Kurti ka qenë i pranishëm në seancë.

“Grupi parlamentar i AAK-së, tash e tre muaj e ka dërguar në kryesi një kërkesë për një debat për tre vjetët e Qeverisë. Në diskutim me grupet parlamentare dhe në mungesë të deputetëve për një temë kaq të rëndësishme, një ballafaqim i vërtetë mes opozitës dhe kryeministrit nuk do të duhej të ndodhte pa një dakordim të plotë. Andaj po e shtyjmë këtë debat”, ka thënë ai.

Qeveria e Kurtit, e cila është betuar në mars të vitit 2021, ka hyrë në vitin e katërt të qeverisjes. Mandati i saj përfundon në fillim të vitit të ardhshëm.

Thirrja e kësaj seance është bërë teksa po zhvillohen bisedime për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Vetë Kurti ka thënë se është i interesuar për të diskutuar për datën e re të zgjedhjeve.

Megjithatë, krerët e partive opozitare kanë opsione të ndryshme për mënyrën se si duhet të shkohet drejt zgjedhjeve të reja. REL

Kuvendi i Kosovës miraton marrëveshjen me Danimarkën – i jep në shfrytëzim 300 qeli burgu

VOA/Leonat Shehu

Me 86 vota për dhe shtatë kundër, parlamenti i Kosovës ratifikoi të enjten marrëveshjen me Danimarkën për dhënien në shfrytëzim të 300 qelive të burgut në qytetin e Gjilanit, për të ndihmuar vendin skandinav të përballet me sistemin e tij të mbipopulluar të burgjeve.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli tha se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me Danimarkën dhe përfitimet e vendit nga kjo marrëveshje.

“Sipas traktatit Kosova do të vendosë në dispozicion kapacitete të përshtatshme për 300 të burgosur të Mbretërisë së Danimarkës dhe rrjedhimisht Kosova do të përfitojë në këmbim tarifë vjetore fikse për shfrytëzimin e burgut prej 15 milionë eurosh dhe 6 milionë të tjera për energji të gjelbër të cilat i kemi shumë të nevojshme”, tha zonja Rizvanolli.

Ideja për marrëveshjen ishte paraqitur në fund të vitit 2021 me të cilën parashihej që shteti danez të marr në shfrytëzim për një periudhë 10 vjeçare qendrën e paraburgimit në Gjilan, rreth 45 kilometra në lindje të Prishtinës.

Zyrtarë të ministrisë së Drejtësisë kanë thënë se Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro nga Danimarka, e cila do të financojë sistemin e drejtësisë të Kosovës dhe projekte të energjisë së ripërtërishme.

Praktika të tilla janë zbatuar në vendet evropiane edhe më parë, përfshirë Norvegjinë dhe Belgjikën që kishin marrë me qira qeli burgu në Holandë.

Kritikët e marrëveshjes në Kosovë tërheqin vërejtjen se vendi ka mungesë të mundësive dhe burimeve për një marrëveshje të tillë.

Marrëveshja që ishte kundërshtuar më herët nga opozita, tashmë është mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës, gjë që mundësoi ratifikimin e saj.

Mbështetja e Partisë Demokratike në opozitë për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare pas gati një vjet bojkotimi, pasoi një takim javën e kaluar ndërmjet kryetarit të kësaj partie Memli Krasniqi dhe kryeministrit Albin Kurti, në të cilin është diskutuar edhe për zgjedhjet e reja.

Partia Demokratike e Kosovës u kërkoi gjatë javës partive politike parlamentare mbështetje për një mocion për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës, si rrugë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Derisa partia në pushtet lëvizja Vetëvendosje është shprehur e gatshme të hap diskutimet me partitë opozitare në vend për të shpallur zgjedhjet e reja parlamentare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti si rrugë për ta cuar vendin në zgjedhje të reja.

Mocioni për shpërndarjen e parlamentit mund të bëhet me nënshkrimet e 40 deputetëve, ndërsa për miratimin e tij duhen 80 vota në parlamentin 120 vendesh. Nëse deputetët merren vesh për shpërndarjen e parlamentit atëherë presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen më së largu 45 ditë pas shpalljes së tyre.

Mandati i qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025. Përgjatë tij partitë opozitare kanë kritikuar qasjen e qeverisë kundruall aleatëve të saj perëndimor gjë që çoi edhe në dështimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

KFOR thotë se u njoftua për aksionin në veri, por s’mori pjesë në të

Një veturë e KFOR-it grek shihet pranë një veture të Policisë së Kosovës, gjatë aksionit policor në veri më 20 maj 2024.

 

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është njoftuar “pak kohë” para se autoritetet kosovare të sigurisë të nisnin operacionin në veri të Kosovës kundër institucioneve financiare serbe në Kosovë më 20 maj.

Gjatë operacionit policor, të kryer në katër komunat në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – autoritetet e Kosovës thanë se mbyllën gjashtë objekte Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë.

Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

Teksa po zhvillohej aksione, vetura të KFOR-it, por edhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), u panë në veri.

“Personeli i KFOR-it nuk u përfshi në zbatimin e këtyre operacioneve”, u tha në njoftimin e KFOR-it të lëshuar më 21 maj.

Ky mision tha se pret “konsultime me kohë” për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo Forcës së Sigurisë së Kosovës “që mund të ndikojë te siguria rajonale”.

Misioni i NATO-s në Kosovë përsëriti qëndrimin se mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, duke thënë se dialogu është rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Aksioni i Policisë së Kosovës në veri është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga Departamenti amerikan i Shtetit thanë se ky aksion ishte veprim i pakoordinuar me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se përshkallëzon tensionet.

Edhe BE-ja e quajti përshkallëzues dhe të njëanshëm aksionin policor në veri.

Policia e Kosovës tha se aksioni i 20 majit u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës. Në aksion mori pjesë edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani. REL

Bilanci i aksionit në veri të Kosovës, konfiskohen rreth 75 milionë dinarë, 1.6 milion euro, dollarë e franga

Policia e Kosovës ka zbardhur detaje lidhur me aksionin e zhvilluar gjatë ditës së hënë në veri të vendit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës thuhet se përpos mbylljes së gjashtë njësive ilegale të “Bankës Postare Kursimore”, u konfiskuan edhe prova të ndryshme materiale.

Rreth  1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinar, rreth  19.500 franga, rreth 13.800 dollar amerikan, 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftim.

“Gjashtë filiale të të ashtuquajturës  ‘Bankë Postare Kursimore’  në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.sn

Policia mbyll gjashtë filiale të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në veri të Kosovës

Policia e Kosovës gjatë aksionit në Mitrovicë të Veriut më 20 maj 2024.

 

Autoritetet në Kosovë thanë se kanë mbyllur kasafortën e Bankës Kursimore të Postës së Serbisë dhe pesë filiale të tjera të saj në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Policia e Kosovës tha se aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës.

 

Pjesëtarë të EULEX-it gjatë aksionit në Zveçan.

Pjesëtarë të EULEX-it gjatë aksionit në Zveçan.

Në njoftim të Policisë së Kosovës u tha se aksioni ka kaluar pa ndonjë problem dhe incident.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, tha policia.

Pjesëtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), janë parë duke marrë pjesë në aksionin në Zveçan.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, përgëzojë institucionet për “suksesin e treguar” gjatë aksionit në veri.

“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”, shkroi ai në Facebook.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës, vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave, është kundërshtuar fuqishëm nga Serbia.

Serbia ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, të cilëve ua paguan rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë, në valutën serbe, dinar.

BQK-ja ka thënë më 13 maj se pas përmbylljes së periudhës transitore i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së, duke u thirrur në ndikimin që mund të ketë te komuniteti serb në Kosovë, që pranon pagesa të ndryshme në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Opozita ende pa pajtim për shpërndarjen e Kuvendit

Grupet parlamentare nuk arritën të pajtohen të hënën për thirrjen e një seance parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, megjithëse e gjithë opozita ka kohë që kërkon vazhdimisht që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së Kuvendit, shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, tha se nuk ka kërkesë zyrtare për shpërndarjen e Kuvendit.

“Ka vetëm kërkesë për debatin për qeverisje, që pritet të trajtohet të premten. Ky është propozim i Grupit Parlamentar të AAK-së, me të cilin ata kanë propozuar edhe rrëzimin e Qeverisë. Ne nuk e mbështesim dhe natyrisht konsiderojmë që nuk ka arsye të votohet në favor të kësaj kërkese”, tha ajo.

Mandati i Qeverisë përfundon në fillim të vitit 2025, por partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke e cilësuar atë si të “dëmshme për vendin”.

Kusari Lila tha se nuk kanë frikë nga shkuarja në zgjedhje, por shtoi se nevojitet unitet i opozitës për ta bërë të mundur këtë.

Derisa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mbështet shpërndarjen e Kuvendit, dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duan zgjedhje të reja përmes shkarkimit apo dorëheqjes së Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, tha se shtatori duhet ta gjejë Kosovën me Qeveri të re, por e pranoi se ka mungesë pajtueshmërie për këtë.

“Deri tani, ende nuk jemi në një situatë ku kemi dakordim mes grupeve parlamentare, që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, tha ai.

Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, nguli këmbë që Qeveria e Kurtit të marrë përgjegjësinë, për siç tha, “dështimet e saj” përmes dorëheqjes.

“Shpërbërja e Kuvendit në këtë fazë nënkupton një dalje për Qeverinë Kurti, në njëfarë forme marrjen e fajit nga Kuvendi për dështimin e Qeverisë. Shpërbërja duhet të vijë vetëm atëherë kur ta shkarkojmë një qeveri të dëmshme, vetëm atëherë kur të japë dorëheqje ajo, por në asnjë situatë Kuvendi të marrë një përgjegjësi që nuk i takon”, tha Tahiri.

Javën e kaluar, kryeministri Kurti zhvilloi një takim me Memli Krasniqin, kryetarin e PDK-së, me të cilin bisedoi për zgjedhjet e reja.

Pas takimit, Kurti tha zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë, ose në vjeshtën e këtij viti.

Dy partitë e tjera opozitare, LDK dhe AAK, nuk pranuan të takohen me Kurtin për këtë çështje.

Por, Kurti ka zhvilluar edhe një takim lidhur me çështjen e zgjedhjeve, me drejtuesit e dy partive më të vogla, që janë pjesë e Qeverisë aktuale: Donika Gërvallën dhe Faton Pecin nga partia Guxo, dhe Mimoza Kusari-Lilën nga Alternativa.

Për shpërndarjen e Kuvendit, nevojitet mbledhja e 40 nënshkrimeve për mocionin paraprakisht, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar. REL

Vrau policin, arratiset ‘fytyra e frikshme e Prishtinës’, çfarë dihet deri tani?

Enver Sekiraqa i dënuar me 25 vjet burgim për shtytje në vrasjen e ish-Policit Triumf Riza “është zhdukur nga harta”. Policia e Kosovës s’po e gjejnë në shtëpinë e tij, kanë lajmëruar të gjitha pikat kufitare, e avokatja e Sekiraqës thotë se nuk e di nëse kjo mund të quhet arratisje, pasi nuk ka informacion.

Çka ndodhi?

Të dielën, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Enver Sekiraqa prej dy ditësh nuk është gjetur në shtëpinë e tij. PK për Gazetën Nacionale ka njoftuar se kishin marrë urdhër nga Gjykata e Apelit për të sjellë Sekiraqën në paraburgim, krejt kjo pasi që këtij të fundit i ka ndryshuar masa e sigurisë.

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë. Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njejti nuk është hasur në shtëpi.” – thuhet në njoftim.

“Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kan kërkuar të njejtin, por nuk e kan hasur në shtëpi. Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit.” – kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës.

E avokatja e Sekiraqës, Kosovare Kelmendi për Kallxo.com, e ka konfirmuar se Policia s’po e gjejnë Sekiraqën, por e njejta ka thënë se se di nëse kjo është një arratisje.

“Unë nuk mund të konfirmoj, kjo quhet arrati por nuk mund të konfirmoj se është arrati sepse nuk kam informacione, pikë jo kontektuese është se policia nuk e ka gjetë në shtëpi, këtë e di e pashë edhe prej portaleve por që është në arrati këtë nuk e di. Nuk kam asnjë informacion”- tha Kelmendi për KALLXO.com.

Dy javë më parë, Enver Sekiraqa është dënuar me 25 vjet burg, vendimi i cili ishte shpallur në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Sekiraqa u dënua për nxitje në vrasje të ish-policit, Triumf Riza. Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg,

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Qysh e “parashikoi” Apeli arratisjen e Sekiraqës?

10 shkurt ishte data, nga kur Sekiraqa me aktvendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë u la i lirë nga masa e arrestit shtëpiak.

Kështu kishte bërë të ditur për Gazetën Nacionale avokatja e Sekiraqës, Kosovare Kelmendi.

“I njëjti ka qene në arrest shtëpiak qe dy vite. Dje është vendos nga Gjykata që të hiqet kjo masë dhe te zëvendësohet me atë në paraqitje në polici.” – pati thënë Kelmendi në një prononcim për Gazetën Nacionale.

Këtë masë e pati ndryshuar Gjykata e Apelit, madje duke e përmendur rrezikun e arratisjes së Sekiraqës.

Më 27 shkurt në vendimin e publikuar të Gjykatës të Apelit, thuhet se pas shqyrtimit të ankesës së PSRK-së, kjo gjykatë ka gjetur se në aktvendimin e shkallës së parë nuk janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me peshën dhe përshtatshmërinë e kësaj mase.

Prandaj ndaj të pandehurit duhet të caktohet masa e arrestit shtëpiak, e kjo për faktin se sipas të dhënave në shkresat e lëndës del se i pandehurit akuzohet për vepër të rëndë penale më të cilën kemi edhe humbje jetë të zyrtarit policor”, thuhet tutje në vendim.

Më tej, thuhet edhe se ndaj të njëjtit është duke u mbajtur shqyrtim gjyqësor ku do të administrohen prova materiale dhe personale kështu që duke marrë parasysh të kaluarën e të pandehurit mund të ndikohet në forma të ndryshme nga ana e të njëjtit dhe në këtë mënyrë do të pengonte rrjedhën me sukses të procedurës penale.

Gjithashtu, në këtë vendim thuhet se nga të gjitha rrethanat e kësaj çështje penale ekziston rreziku permanent se nëse i pandehuri gjendet në liri ekzistojnë rrethanat e ikjes, marrë parasysh faktin se i pandehuri pas kryerjes së veprës penale për të cilën dyshohet se e ka kryer është arratisur për një kohë të gjatë, dhe nëse lihet në liri të plotë ekziston mundësia se i njëjti do të arratiset përsëri./Nacionale/

Kryeministri Kurti priti në takim udhëheqësit e koalicionit VLEN

Prishtinë, 18 maj 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot priti në vizitë miqësore udhëheqësit e koalicionit VLEN të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, Bilall Kasami, Arben Taravari, Izet Mexhiti e Afrim Gashi, të cilët i përgëzoi për rezultatin zgjedhor. Është hera e parë që opozita shqiptare arrin të prekë dhe të tejkalojë 100,000 vota.
Përfaqësuesit e VLEN diskutuan me kryeministrin Kurti për çështjet me rëndësi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut e për çështje të tjera të rëndësishme. Shqetësuese për palët vazhdon të jetë influenca ruse dhe serbe, e cila ndodh edhe përmes rrjeteve korruptive e kriminale. Zhvillimi i infrastrukturës që ndërlidh popullsitë e shtetet tona, ishte një ndër temat kryesore të diskutimit, bashkë me ide e projekte për gjallërimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e arsimor.
Takimi u zhvillua në frymë të bashkëpunimit të përzemërt, duke mbajtur parasysh se shqiptarët në Ballkan janë faktor i padiskutueshëm në mbështetje të demokratizimit, integrimit europian, paqes e sigurisë dhe qëndrueshmërisë euroatlantike.- Zyra e Kryeministrit

Kurti: Brenda katër viteve krijuam 87 mijë vende pune më shumë, shënuan rritje ekonomike dhe të buxhetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në një periudhë katërvjeçare, 2019-2023, në Kosovë janë hapur 87 mijë vende pune më shumë. Ai gjithashtu ka folur për rritjen ekonomike dhe të buxhetit gjatë qeverisjes së tij.

Këto komente kreu i ekzekutivit të vendit, i ka bërë sot gjatë prezantimit të projektit për reformën e asistencës sociale nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).

Kurti tha se statistikat e rritjes së vendeve të punës, uljes së shkallës së papunësisë, rritjes së punësimit të grave dhe të rinjve, rritjes ekonomike, rritjes së qarkullimit të bizneseve, e rritjes së të hyrave buxhetore, pasqyrojnë qartazi suksesin e Qeverisë sonë në këtë drejtim.

“Nga 331,742 vende pune në mbyllje të vitit 2019, në fund të vitit 2023, pra për një periudhë 4 vjeçare, kemi 419,126 vende pune apo mbi 87 mijë vende pune më shumë apo mbi 26 për qind. Më tej, nga një rritje ekonomike prej 1 miliard euro për tri vite gjatë mandateve para qeverisë sonë, kaluam në një rritje ekonomike prej 1 miliard euro në vit me Qeverinë tonë. Nga një rritje e të hyrave buxhetore prej 1 miliard euro për më tepër se 10 vite para nesh, kaluam në një mbledhje të të hyrave buxhetore për 1 miliard euro më shumë për tri vite qeverisje”, ka thënë Kurti.

Më tej ai ka thënë se këtë realitet të ri ekonomik për vendin, e konfirmojnë edhe institucionet ndërkombëtare financiare në raportet e tyre, sikurse Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar e së fundmi edhe raporti i agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit kreditor, Fitch Ratings.

“Por punën tonë për zhvillim ekonomik të vendit e cila u përkthye në më shumë vende pune për qytetarët e Republikës dhe më shumë të hyra buxhetore për Kosovën, nuk e ndalëm këtu”, tha kryeministri.

Ai tha se Qeveria që ai drejton ka punuar që këto të hyra t’i rishpërndajë përmes skemave të ndryshme sociale e masave të shumta për qytetarët, bizneset e posaçërisht tek grupet e cenueshme të shoqërisë.

Kurti theksoi se skema e re e heq diskriminimin që ekziston me skemën aktuale, duke mos përjashtuar nga skema familjet që nuk kanë më fëmijë nën 5 vjeç, dhe e inkurajon punësimin në anën tjetër përmes mekanizmave nxitës dhe bashkëpunimit me Agjencinë e Punës.

Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi se mësimet që do të nxirren nga ky pilotim do të reflektohen edhe në Projektligjin e ri për mbrojtjen sociale. sn

AP: Kosova kritikon Këshillin e Evropës që nuk votoi për anëtarësimin e saj, fajëson lobimin serb

Prishtinë, Kosovë — Kosova kritikoi të premten vendimin e Këshillit të Evropës për të mos zhvilluar votimin për anëtarësimin e saj, duke thënë se ai vendim e privoi popullin e saj dhe veçanërisht pakicat e saj etnike nga mjetet demokratike të ofruara nga organi më i lartë i të drejtave të njeriut në kontinent, sipas Associated Press.

“Anëtarësimi i Kosovës nuk ishte në agjendën e takimit të ministrave të jashtëm të këshillit pasi disa anëtarë i kishin kërkuar Kosovës që të krijonte një asociacion të komunave me shumicë serbe në veri të vendit përpara se të bëhej një votim.

Kosova ka frikë se një strukturë e tillë mund të shndërrohet në një Republika Srpska tjetër me autonomi të gjerë. Republika Srpska është emri për pjesën e Bosnje-Hercegovinës që drejtohet nga serbët etnikë.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gervalla-Schëarz tha se disa vende zgjodhën të mbështesin Serbinë pas “një fushate lobimi kundër anëtarësimit të Kosovës”.

Kjo i privoi “qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë e tyre të ofruara nga mekanizmat e një organizate të tillë, veçanërisht për komunitetet pakicë etnike dhe ato të tjera të margjinalizuara”, tha ajo.

Një ditë më parë ministrja bëri një përpjekje të minutës së fundit për të bindur fuqitë perëndimore për të mbajtur një votim, duke i dërguar një letër Theodoros Rousopoulos, kreut të Asamblesë së Parlamentit të Këshillit të Evropës. Ajo ofroi një projektligj që Kosova po e harton për komunat me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës deri në fund të majit.

Kjo nuk u mor parasysh dhe “për rrjedhojë ajo letër dhe ai propozim e humbet aktualitetin dhe rëndësinë,” tha ajo.

Kosova ka denoncuar kërkesën e minutës së fundit në lidhje me asociacionin e komuniteteve serbe para votimit, duke thënë se ajo i kishte përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në këshill.

Komiteti i çështjeve politike të këshillit në mars dhe një votim në asamblenë e tij parlamentare në prill miratuan anëtarësimin e Kosovës dhe votimi i ministrave të jashtëm është hapi i fundit përpara se Kosova të mund të ftohet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës nuk mund të ndalet edhe nëse vonohet për shkak të ndonjë kundërshtari të Kosovës apo lobimit të Serbisë”, tha Gervalla-Schwarz.

Asociimi është një kërkesë kryesore për Kosovën në bisedimet e saj të normalizimit të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian me Serbinë.

Asosacioni do të koordinojë punën për arsimin, kujdesin shëndetësor, planifikimin e tokës dhe zhvillimin ekonomik në qytetet dhe qytezat me shumicë serbe dhe do të shërbejë si urë lidhëse me qeverinë e Kosovës.

Kosova ka hezituar të ecë përpara me të pavarësisht garancive nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Për themelimin e asosacionit u ra dakord për herë të parë në Bruksel në vitin 2013 dhe u miratua nga parlamenti i Kosovës. Por Gjykata Kushtetuese e Kosovës më vonë e konsideroi atë jokushtetues, duke thënë se nuk përfshinte etnitë e tjera dhe mund të përfshinte kompetenca ekzekutive.

Gjykata Kushtetuese tani duhet të vendosë nëse një draft i ri do të ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Për asnjë draft të ri nuk është rënë dakord deri më tani.

Bisedimet e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë dështuar pa bërë përparim dhe Brukseli i ka paralajmëruar të dy shtetet se refuzimi për të bërë kompromis rrezikon shanset e tyre për t’u bashkuar me bllokun europian. Serbia nuk e njeh ish provincën e saj të shpalljes zyrtare të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Lufta e viteve 1998-1999 midis forcave qeveritare serbe dhe shqiptarëve etnikë në Kosovë shkaktoi rreth 13,000 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë të Kosovës. Në vitin 1999, një fushatë bombardimi 78-ditore e NATO-s i dha fund luftës dhe forcat serbe u dëbuan. sn

Kosova zgjat afatin e procesit të regjistrimit të popullsisë – deri më 24 maj

Prishtinë – Qeveria e Kosovës ka njoftuar se është shtyrë afati i procesit të Regjistrimit të Popullsisë deri më datën 24 maj.

Sipas komunikatës  së qeverisë, ky institucion ka zhvilluar djet një mbledhje elektronike në të cilën, me kërkesë të komunës së Dragashit, Prishtinës, Prizrenit, Drenasit, Fushë Kosovës, Skenderajt, Obiliqit, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Gjakovës ka miratuar vendimin për shtyrjen e afatit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave deri me datën 24 maj 2024.

“Sipas propozimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej datës 18 deri më 24 maj 2024, regjistrimi/intervistat do të zhvillohen vetëm nga stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës i cili do të mbulojë tërë territorin e Kosovës për rastet kur identifikohet një individ apo ekonomi familjare që për çfarëdo arsye nuk mund të regjistroheshin më herët”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, regjistrimi i diasporës, përmes portalit eDiaspora shtyhet deri më datën 31 gusht 2024.

“Për më shumë detaje, Agjencia e Statistikave të Kosovës do të dalë me një komunikatë dhe do të bëjë publik planin e veprimit për periudhën e regjistrimit shtesë nga data 18-24 Maj, 2024”, theksohet në njoftim.

Kuvendi i Kosovës miraton disa marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë atë ushtarake me Turqinë

Në dy senaca plenare, Kuvendi i Kosovës ka miratuar shumicën e marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë marrëveshjen kornizë ushtarake me Turqinë.

Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kishe mbetur pezull që një kohë për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme.

Sipas ligjit në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me votat e dy të tretave të deputetëve.

Sipas Qeverisë së Kosovës, marrëveshja me Turqinë parasheh bashkëpunim, ndër të tjera, në operacione paqeruajtëse, humanitare dhe kundër terrorizmit.

“Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin në këto fusha: stërvitje dhe edukim ushtarak, industri dhe mbrojtje, shkëmbim të inteligjencës ushtarake, mjekësi ushtarake, operacione paqeruajtëse dhe humanitare kundër terrorizmit e të tjera”, tha ministri i Bujqësisë, Faton Peci, derisa e arsyetoi marrëveshjen në mungesë të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Dy prej marrëveshjeve ndërkombëtare nuk morën mbështetjen e nevojshme të deputetëve gjatë seancave plenare të 16 majit: Traktati ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, si dhe Marrëveshja e kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.

Me përkrahjen e deputetëve nga partitë opozitare, u arrit miratimi, ndër të tjera, edhe i Ligjit për ratifikimin e “amendamentit 3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”.

Ligjvënësit mbështetën edhe marrëveshjen me me Bankën Evropiane për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj.

Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo marrëveshje arrin vlerën prej 20 milionë eurove.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi Ligjin për aderimin e Kosovës në Konventën për importin e përkohshëm.

Deputetët miratuan edhe Ligjin për marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimit Evropian në atë që quhet Programi i tregut të vetëm.

Në seancën e 16 majit, u miratua edhe Marrëveshja ndërkombëtare me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim.

Subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovosës bëri të ditur më 15 maj se do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, vetëm një ditë pasi kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, zhvilloi një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Marrëveshjet ndërkombëtare arrijnë vlerën e 300 milionë eurove, ka thënë më herët ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Në seancën e së enjtes, që është vazhdim i asaj që është mbajtur më 2 maj, në rend dite ishte edhe votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit amerikan të Shtetit.

Me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, votimi u shty për një seancë tjetër meqë sipas tyre “rezoluta nuk është e plotë”.

“Kërkojmë më tepër kohë për [harmonizimin e qëndrimeve] për plotësimin e rezolutës”, tha shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila. REL

Kurti: Opozita të bëhet gati për zgjedhje ose unë qeveris deri në fund të mandatit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se partitë opozitare janë ato që duhet të bëhen gati për zgjedhje e jo Qeveria, duke paralajmëruar se në të kundërtën, ai do të përfundojë mandatin e tij katërvjeçar në krye të ekzekutivit kosovar.

“Opozita duhet të bëhet gati për zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat, shkon mandati deri në fund”, tha Kurti shkurt për gazetarët, pasi mori pjesë në një ngjarje në Prishtinë.

Mandati i Qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025, por partitë opozitare që një kohë po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi argumentojnë se Kurti po keqqeverisë me vendin.

Për këtë kërkesë të opozitës, Kurti më 13 maj u takua me Memli Krasniqin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë.

“Për mua ka qenë shumë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative sepse kemi shumë marrëveshje ndërkombëtare të ngujuara”, tha Kurti më 14 maj, duke iu referuar takimit me Krasniqin.

Pas takimit me Krasniqin, Kurti kishte deklaruar se është i interesuar që të diskutojë me opozitën për caktimin e një date se kur do të mbaheshin zgjedhjet e reja. Sipas tij, zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.

Dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë refuzuar që të takohen me Kurtin.

Por, Kurti ka zhvilluar edhe një takim lidhur me çështjen e zgjedhjeve edhe me drejtuesit e dy partive më të vogla, që janë pjesë e Qeverisë aktuale: Donika Gërvallën dhe Faton Pecin nga partia Guxo, dhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa.

Pavarësisht se opozita është e unifikuar sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, ajo ka dallime sa i përket mënyrës se si vendi do të shkonte në zgjedhje.

PDK-ja kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, e cila paraprakisht kërkon mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mocionin, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.

LDK-ka kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shkarkimit të Qeverisë apo dorëheqjes së saj dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit. Kërkesë të ngjashme ka edhe AAK-ja.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së ekzekutivit aktual.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar. REL

Kurti bisedon me drejtuesit e partive Alternativa dhe Guxo për zgjedhjet e reja

Takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me drejtuesit e partisë Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, dhe me kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me udhëheqësit e partive Guxo dhe Alternativa për kërkesën e opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Takimi i Kurtit me bashkëdrejtuesit e partisë Guxo, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, dhe me kryetaren e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila u zhvillua mbrëmjen e 14 majit.

“Aty u theksua se duke qenë se legjislativi dhe qeverisja kanë arritur në vitin e katërt të mandatit, është e kuptueshme se procesi zgjedhor është çështje e muajve, por që dakordimi për hapat e mëtutjeshëm duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës, si dhe harmonizimin e plotë të kërkesës së partive opozitare karshi pozitës në Kuvend. Vetëm atëherë mund të trajtohen seriozisht nismat për diskutime të procesit të ri zgjedhor”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.

Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 garuan në kuadër të listës së Lëvizjes Vetëvendosje të udhëhequr nga Albin Kurti.

Mandati i Qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025, por partitë opozitare që një kohë po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi argumentojnë se Kurti po keqqeverisë me vendin.

Për këtë çështje, më 13 maj, Kurti bisedoi edhe me Memli Krasniqin, kryetarin e subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Pas takimit, Kurti tha se është i interesuar që të diskutojë me opozitën për caktimin e një date se kur do të mbaheshin zgjedhjet e reja. Sipas tij, zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë ose në vjeshtën e këtij viti.

Ftesa për takim të ngjashëm u refuzua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

PDK-ja kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, e cila paraprakisht kërkon mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mocionin, i cili pastaj duhet të votohet nga 80 ligjvënës.

LDK-ka kërkon që në zgjedhje të shkohet përmes shkarkimit të Qeverisë apo dorëheqjes së saj dhe pastaj shpërndarjen e Kuvendit. Kërkesë të ngjashme ka edhe AAK-ja.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së ekzekutivit aktual.

Prej se Kosova është bërë shtet i pavarur në vitin 2008, asnjë qeveri e zgjedhur nuk e ka çuar deri në fund mandatin 4-vjeçar. REL

Anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk përfshihet në agjendën e Komitetit të Ministrave

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti.

 

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, që do të mblidhet këtë javë.

Kështu ka thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, përmes një postimi në Facebook.

Ahmeti ka thënë se pavarësisht mbështetjes që gëzon Kosova për anëtarësim në Këshillin e Evropës – organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut – janë disa vende që kërkojnë prej Kosovës të pranojë “draft statutin e [të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi] Miroslav Lajçakut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën”.

“Ka gjasë që ky votim të shtyhet. Shtyrja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft statutin e Lajçakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel”, ka thënë mes tjerash Ahmeti.

Sipas tij, kërkesa për Asociacionin nuk të bëjë aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

“Shtyrja eventuale do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e Këshillit të Evropës, përfshirë Gjykatën e Strasburgut për t’i adresuar të drejtat e tyre. Për më tepër, shtyrja do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit”, ka vlerësuar Ahmeti.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka mbështetur raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

Autorja e raportit, Dora Bakoyannis, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe çështjen e formimit të Asociacionit e ka konsideruar si temë të brendshme të Kosovës.

Megjithatë, ka ditë që qarkullojnë informacione se disa vende të Perëndimit janë duke kërkuar që Kosova të shënojë përparim drejt formimit të Asociacionit, në mënyrë që të pranohet në këtë organizatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë ditë më parë se Qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, ka thënë Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Prokuroria Speciale ngre aktakuza në mungesë kundër tre personave për krime lufte

Prokuroria Speciale në Kosovë ka ngritur të martën aktakuza në mungesë kundër tre të pandehurve të nacionalitetit serb, me inicialet L.Ç, P.B dhe M.I, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” në periudhën 1998-99.

Prokuroria ka thënë përmes një komunikate se dyshon që i pandehuri L.Ç e ka kryer veprën penale sa ka qenë drejtor i burgut të qarkut në Prishtinë dhe paralelen në Lipjan, ndërsa dy të tjerët, P.B dhe M.I kanë qenë atë kohë gardianë të burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan.

Gjykimi i parë në mungesë për krime lufte pati nisur në nëntor të vitit 2023 në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Mbajtja e gjykimeve në mungesë parashihet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.

Gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit dhe kjo mund të bëhet kur prokuroria dhe gjykata t’i kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.

Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë më herët gjatë vitit se gjykimet në mungesë shënojnë një kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës “duke paraqitur një sfidë të re për sistemin gjyqësor në Kosovë”.

Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore. REL

Albin Kurti: Dita e Martirëve në Korishë

Më 13 maj të vitit 1999, forcat e armatosura të Serbisë kryen masakër mbi popullsinë civile të pafajshme në Korishë. Aty u vranë 77 civilë. Prej tyre, 14 ishin fëmijë.
Vrasjet pa dallim moshe e gjinie, janë dëshmi e pafajësisë së tyre dhe e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Në Ditën e Martirëve të Korishës, kujtojmë civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë, të vrarë në maj të vitit 1999. Përkujtojmë viktimat civile që ishin futur në kurthin e vdekjes prej forcave serbe.
Lavdi martirëve të Korishës!
Lavdi secilës jetë të sakrifikuar në rrugën tonë për liri!

Nënsekretarja e Shtetit viziton Kosovën, takim me Osmanin dhe Kurtin

Nënsekretarja e Shtetit Amerikan për Diplomaci Publike, Elizabeth Allen, gjatë kësaj jave do të zhvillojë vizitë në Bosnjë, Serbi, Kosovë e Maqedoni të Veriut.

Siç njofton Departamenti Amerikan i Shtetit, qëllimi i kësaj vizite është thellimi i partneritetit me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shtyrja përpara e qëllimeve për bashkëpunim rajonal dhe integrime evropiane.

Në Prishtinë, nënsekretarja Allen do të takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar mbështetjen e SHBA-së për rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik dhe partneritetin me Kosovën. Po ashtu, nënsekretarja Allen do të vizitojë pjesëtarët e shërbimit amerikan të dislokuar si pjesë e Misionit Paqëruajtës të Forcave Kosovare të NATO-s (KFOR) në Camp Nothing Hill, duke nënvizuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, njofton RTK.

Sipas DASH-it, nënsekretarja Allen do të zhvillojë gjithashtu diskutime me studentë të ndryshëm kosovarë të angazhuar në lëndët e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës në Institutin Teknologjik Rochester – Kosovë.

Ajo po ashtu do të udhëtojë në Dresnik për të zbuluar mozaikët e kohës romake që arkeologët po restaurojnë falë mbështetjes nga Fondi i Ambasadorëve të Departamentit të Shtetit për Ruajtjen e Kulturës.

PD: Anija ruse u zhdoganua në Durrës, Rilindja e ktheu portin në han për kontrabandistët dhe mafian!

Partia Demokratike ka kë kërkuar sot nga organet e drejtësisë të nisin hetimet për një anije ruse, e cila është zhdoganuar në Portin e Durrësit më 24 maj 2024, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare që i janë vendosur vendit të saj të origjinës.

Z. Lisandër Hoxha, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD,  në një deklaratë për mediat tha sot: “Shqipëria që prej 2022 ka aplikuar sanksione ndaj Rusisë duke u bashkuar me vendet e Perëndimit kundër agresionit rus të Putinit ndaj Ukrainës. Ky jo vetëm si një detyrim ndaj NATO, por edhe ndaj partnerëve tanë amerikanë.

Sanksionet janë një mekanizëm për të dobësuar ekonomikisht makinerinë e luftës së regjimit të Vladimir Putin.

Partia Demokratike ka mbështetur fuqimisht Ukrainën dhe vendet e NATO-s në çdo nismë për të frenuar makinerinë e luftës së Putin për të vazhduar më tej pushtimin e saj.

Edhe qeveria Rama në dukje ka bërë të njëjtën gjë, por në fakt vepron ndryshe. Prej muajsh ka raportime për anije që vijnë nga Rusia të ngarkuara me mallra të ndryshme.

Rasti i fundit është i datës 24 mars 2024, me një anije ruse të nisur nga porti i Rostov on Don drejt portit të Durrësi me nr, OMSKIY-105. Anija në fjalë është zhdoganuar më datë 26 Mars 2024 me një procedurë të dyshimtë e cila krijon kushtet për kontrabandë.

Dërguesi i produkti, kompania CJSC Red October është një kompani e dyshimtë e cila nuk tregon origjinën e mallit. Ajo merret vetëm me dërgesa nga Rusia drejt vendeve të tjera.

Malli që është shkarkuar nga dogana shqiptare nuk është peshuar sipas procedurave ligjore standarde, por është larguar menjëherë nga porti duke rritur dyshimet për kontrabandë.

Partia Demokratike i bën thirrje organeve kompetente të nisin menjëherë hetimet për këtë rast.

Shqipëria duhet të jetë e vërtetë dhe serioze në angazhimin e saj si vend anëtar i NATO për të kontribuar në këtë luftë me çdo mjet dhe mënyrë. Qeveria Rama është sot e dyshimtë nga partnerët në çdo hap të saj për shkak të korrupsionit madhor.

Vendi ynë nuk mund jetë parajsë kontrabande për naftën, elbin apo mallrat të tjerë që futen rëndom në vendin tonë.

Qeveria Rama dhe doganierët e Rilindjes e kanë kthyer portën tonë kryesore detare në një han pa porta për kontrabandistët rusë dhe mafian ndërkombëtare duke na bërë të pabesueshëm në angazhimin tonë euroatlantik.

Partia Demokratike është e vendour të vijojë luftën e saj kundër korrupsionit duke denoncuar publikisht çdo rast që cënon sigurinë tonë kombëtare, integritetin e vendit tonë në NATO dhe përbën shkelje korruptive.

Shqiptarët kërkojnë një qeveri serioze e cila të luftojë seriozisht korrupsionin dhe të angazhohet fuqimisht në krah të partnerëve. Regjimi Rama do te ketë fundin e të regjimeve që mbijetojnë mbi korrupsionin dhe kontrabandën.”

Kosovë: 1 milion e 420 mijë e 148 qytetarë të regjistruar, edhe pak ditë përfundon procesi

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) mbajti konferencën e radhës për media lidhur me ecurinë e punës gjatë javës së gjashtë në terren për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

U.D. i kryeshefit Ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati ka theksuar se disa komuna kërkojnë shtyrjen e procesit të regjistrimit, ndërsa deri më tani janë regjistruar 1 milion e 420 mijë e 148 qytetarë.

Kastrati, ka thënë se procesi i regjistrimit po vazhdon edhe në javën e gjashtë.

Ai tha se procesi i votimit ka shkuar mirë, disa komuna kanë kërkuar të shtyhet afati i regjistrimit, mirëpo, Kastrati tha se sipas mënyrës që ka shkuar procesi i regjistrimit deri më tani nuk e shohin të arsyeshme shtyrjen e afatit.

“Një komunë ka kërkuar përmes një shkresë të shtyhet në aspektin statistikor nuk ka arsye me u shty. Në përgjithësi regjistrimet kanë qenë aktiv, ka thirrje masive me u regjistru ka një lloj frike te qytetarët se nëse nuk regjistrohen. Bëj thirrje regjistruesve të bëjnë edhe një vizitë sidomos te banesat e shprazëta mos ka mbet dikush pa u regjistru”, tha ai.

Kastrati tha se në disa komuna janë hapur zyre ku qytetarët munden të shkojnë të regjistrohen. Këto komuna janë Prishtina dhe Prizreni, por e njëjta mund të ndodhë edhe në komuna tjera nëse e shohin të nevojshme. Ndërsa në Prishtinë, qytetarët mund të regjistrohen në ASK, edhe në komunë.

Kurse, sa i përket regjistrimit në komunat veriore, Kastrati tha se ka hezitime, por pritet edhe këto ditë të vazhdojë regjistrimi. Regjistruesve iu bë thirrje të bëjnë edhe një rishikim në shtëpi të pabanuara.

“Regjistrimi po shkon sipas planit nga dje deri sot janë regjistruar numri. Komunitetet po marrin pjesë në veri ka hezitim, presim edhe këto ditë të regjistrohen”, tha Kastrati. sn

ASK thotë se ka kërkesë për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë

Komuna e Dragashit javën e kaluar ka bërë kërkesë që procesi i regjistrimit të popullsisë – që përfundon më 17 maj – të shtyhet, bëri të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke shtuar se kërkesa të ngjashme pritet të bëhen më 13 maj nga komuna të tjera.

Gjatë konferencës javore, ushtruesi i detyrës të kryeshefit ekzekutiv të këtij institucioni, Avni Kastrati, tha se ASK-ja po diskuton me këtë komunë, në mënyrë që ta mbështesë me staf dhe që procesi të mos shtyhet.

“Dragashi ka sfidë me komunitete ka disa zona që kanë refuzuar me fillim të regjistrohen dhe besoj që edhe në Dragash do të kryhet me kohë”, tha Kastrati.

ASK-ja tha se sipas të dhënave të fundit, deri më tani në Kosovë janë regjistruar mbi 1 milion e 420 mijë banorë.

“Në aspektin statistikor nuk paraqet ndonjë sfidë shtyrja për disa ditë. Ne do t’i shqyrtojmë ato kërkesa dhe do të shikojmë nëse ka ndonjë bazë, arsye të mirë që të shtyhet”, tha Kastrati.

Ai shtoi se procesi po shkon mirë dhe pritjet janë që regjistrimi të përfundojë gjatë kësaj jave në të gjitha komunat e Kosovës.

Kastrati bëri të ditur se Prishtina dhe Prizreni nga sot do të hapin edhe zyra në komuna, ku qytetarët mund të shkojnë të regjistrohen.

Në këtë proces, përmes një platforme online po regjistrohen edhe qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Kastrati nga ASK-ja tha se deri më tani janë regjistruar mbi 400.000 pjesëtarë të diasporës.

Ndërkaq, sa i përket pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë, ASK tha se të gjitha po marrin pjesë në regjistrim, por në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, ende ka hezitim.

Më 5 prill, kur edhe filloi regjistrimi – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit – kishte thënë se serbët nuk do të merrnin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese. REL

Serbi i arrestuar dje në Jarinjë dyshohet se sulmoi ushtarët e KFOR-it në maj të 2023-ës

Policia e Kosovës bëri të ditur të premten se një serb është arrestuar në pikën e kalimit kufitar në Jarinjë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovë, i dyshuari është arrestuar në lidhje me protestat që kanë ndodhur në Zveçan në maj të vitit 2023.

Konkretisht në protestën e madhe që ka ndodhur me 29 maj, ku janë plagosur disa ushtarë të KFOR-it.

“Zveçan 29.05.2023 – NN.  Lidhur me veprat e cekura penale, më 10.05.2024,  në Pikën e Kalimit Kufitar Jarinje, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.sn

Qeveria e Kosovës: Lajmi për përfundimin e mandatit të të dërguarit amerikan Escobar, nuk doli prej nesh

Pamje nga një takim i mëhershëm Kurti – Escobar

VOA

Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Zërin e Amerikës mohoi çfarëdo sugjerimi “se lajmi rreth përfundimit të mandatit të (të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel) Escobar të ketë dalë nga qeveria e Republikës së Kosovës”.

Të mërkurën zoti Escobar tha se shkrimet e fundjavës për “shkarkimin e tij” janë “dezinformata” të prodhuara nga “një i ashtuquajtur gazetar” dhe raportimet dolën pasi, kontaktoi me qeveritë në rajon për të diskutuar lidhur me kalimin e tij në një detyrë tjetër në Departamentin amerikan të Shtetit pas përfundimit të mandatit të tij.

Ky raportim doli pak kohë pasi unë komunikova me qeverinë e Kosovës”, tha zoti Escobar.

Por, qeveria e Kosovës mohoi “çdo sugjerim” që lajmi të ketë rrjedhur prej saj.

Gjatë fundjavës, themeluesi i platformës pak të njohur digjitale ‘Frontliner’, Vedat Xhymshiti, shkroi se diplomati Escobar është larguar nga detyra për shkak të lidhjeve financiare të familjes së tij me institucione shtetërore serbe, respektivisht të bashkëshortes së zotit Escobar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë si dhe një kontrate ligjore ndërmjet Republikës Serbe dhe zyrës ligjore amerikane McGinnis Lochridge më 2019, ku sipas Xhymshitit partner është një familjar i zotit Escobar.

Dua të them drejtpërdrejt se çdo gjë në atë raportim është gënjeshtër dhe vërtetueshëm gënjeshtër”, tha zoti Escobar.

Nuk kemi ndonjë kontakt me gazetarin në fjalë, me të cilin nuk ndajmë qëndrim sa i përket pretendimeve të tij në lidhje me emisarin Escobar”, thuhet në një përgjigje të qeverisë së Kosovës për Zërin e Amerikës.

Më herët gjatë javës Departamentit amerikan i Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Zv/ndihmës Sekretari Escobar nuk është shkarkuar, por do të lëvizë gjatë javëve në vijim në një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik amerikan, në kuadër të një rotacioni të planifikuar prej kohësh.

Duke hedhur poshtë raportimet, DASH-i bëri thirrje që “gazetarët të vërtetojnë faktet para se të përhapin thashetheme ofenduese dhe të pabaza”, që sipas Departamentit të Shtetit paraqesin kërcënim të jashtëzakonshëm për shoqëritë demokratike.

Quinti për Asosacionin mban pezull anëtarësimin e Kosovës në KiE, Kurtit i jepet afat deri të premten

Kosova nuk është futur në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, duke konfirmuar dhe njëherë se pa asociacion nuk do të ketë ecje përpara në këtë proces.

Euronews Albania ka mësuar se kundërshtari më i fortë ka qenë Franca, e cila e ka bërë të qartë se pa u dërguar statuti i asocacionit në Gjykatën Kushtetuese, Kosova nuk do të futet në axhendën e ministrateve të BE.

Përfaqësuesi i Francës madje u ka kujtuar zv. ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të KiE që edhe pse Kosova e ka pranuar se do të zbatoj asocacionin edhe në letrën dërguar Këshillit, ende nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë.

Franca është mbështetur edhe nga Italia e Gjermania në këtë qëndrim, ndërsa Britania e Madhe edhe pse nuk e ka konsideruar asosacionin si një kusht, ka konfirmuar se do t’i bashkohet qëndrimit të Quint-it.

Axhenda është lënë e hapur deri të martën e javës së ardhshme për t’i dhënë dhe pak kohë kryeministrit Kurti  të marrë një vendim për asocacionin.

Prej kohësh po diskutohet që Kosova mund të mos përfshihet fare në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave më 16-17 maj  dhe kjo pas kërkesës publike që vetë liderët e Francës dhe Gjermanisë ia bënë kryeministrit Albin Kurti për hapa konkretë drejt themelimit të asociacionit.

Më herët në zyrën e Kurtit qëndruan dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it  të cilët ia bënë të qartë se pa asocacion nuk ka Këshill të Europës.

Kurti në njoftimin për mediat thotë se atyre u përmendi raportin e grekes Dora Bakoyannis, ku është konfirmuar se “Republika e Kosovës plotëson standardet dhe kriteret për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate”.

Gërvalla thotë se Rusia “po kryen sulm hibrid” kundër Kosovës

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë të martën se Rusia është duke kryer sulm kibernetik kundër Kosovës “pas njoftimit tonë për ta mbështetur Ukrainën me pajisje ushtarake”.

Në një njoftim në rrjetin social X, Gërvalla tha se Ukraina “po mbrohet arsyeshëm kundër agresionit dhe gjenocidit rus”, dhe se “ne e dimë prej gjenocidit të Serbisë kundër Kosovës se vetëm mjetet ushtarake e ndalin gjenocidin”.

Ajo nuk dha hollësi rreth sulmit kibernetik kundër Kosovës.

Kosova është solidarizuar me Ukrainën menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të saj në shkurt 2022.

Shteti ka ndjekur shembullin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duke vendosur dhjetëra runde sanksionesh ndaj Rusisë si dhe ka strehuar gazetare ukrainase në Kosovë.

Rusia është njëra prej mbështetësve kryesore të Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli më 2008.

Ndërkohë, autoritetet kosovare e kanë akuzuar edhe më herët Rusinë se po shtyn Serbinë të nxisë tensione në vendin fqinj, ndonëse pretendimet e tilla janë hedhur poshtë nga Rusia.

Shtatorin e kaluar, Kurti kishte thënë se “aleatët e Rusisë”, përmes dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një raport të organizatës Demokracia Plus, të publikuar më 2022, thuhej se Kosova “është subjekt i dezinformimit nga aktorë malinj të huaj, si Rusia, Kina dhe Serbia”.

Sulmet e fundit të raportuara kibernetike ndaj institucioneve shtetërore kanë ndodhur në shtator të vitit të 2022. Qeveria e Kosovës tha atëkohë se sulmi e kishte origjinën jashtë vendit, por nuk tregoi se nga cili vend.

Institucionet shtetërore kanë qenë cak i sulmeve kibernetike edhe më herët. REL

Policia e Kosovës gjen kamera në një rrugë malore në kufirin lindor me Serbinë

Një kamerë e vendosur në pjesën malore të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Policia e Kosovës tha se ka gjetur të hënën dy kamera me panele diellore në kufirin lindor me Serbinë, për të cila dyshon se ishin vendosur për vëzhgimin e rrugës nga kontrabandistë të dyshuar.

Në një njoftim për media të martën, Policia tha se kamerat ishin vendosur në një rrugë malore nga fshati Ranillug i Kosovës, në drejtim të fshatit Konçul të Serbisë.

Policia e ka ndaluar në vendin e ngjarjes një 30-vjeçar, me shtetësi të dyfishtë: kosovare dhe serbe, thuhet në njoftim.

“Në vendin e lartcekur, është ndaluar edhe automjeti me targa serbe me drejtues J. S., 30 vjeçar… I njëjti dyshohet se aty ka shkuar për t’u kujdesur për kamerën që veç e kishin marrë më herët njësitet policore”, thuhet në njoftim.

Me urdhër të prokurorit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti i tij është sekuestrohet, sipas njoftimit.

Policia shtoi se i dyshuari e kishte përdorur “këtë automjet e kishte përdorur vetëm për kontrabandë të mallrave përmes rrugëve ilegale”.

Në korrik të vitit 2023, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, për arsye “sigurie”, kur tre policë të Kosovës u arrestuan nga policia serbe.

Në dhjetor, Policia e Kosovës hoqi qindra kamera në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Paraprakisht, ajo kishte hequr kamera edhe në Kllokot, Partesh dhe Ranillug – komuna me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër.REL

Qeveria e Kosovës merr vendim për pajisjen e serbëve me patentë shoferë RKS

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerrë vendimin që u mundëson qytetarëve kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucionet jolegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Një kohë të gjatë kemi pranuar kërkesat tuaja për marrjen e një vendimi të këtillë. Ne duam t’ua lehtësojmë qytetarëve tanë problemet e përditshme, me të cilat ballafaqohen”, tha kryeministri Albin Kurti, përmes një adresimi në gjuhën serbe.

“Kalimi në patentë shofer të Republikës së Kosovës, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve”, njoftoi të martën Zyra e kryeministrit të Kosovës, në një komunikatë për media, në të cilën ishte bashkëngjitur linku me video-adresimin e Kurtit.

MPB-ja bëri të ditur se kalimi në patentë shofer RKS nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentës së shoferit, “por vetëm aplikim, të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente”.

Dokumentet që duhen përfshirë në aplikim, sipas MPB-së, janë letërnjoftimi, origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, certifikata e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, dëshmi të pagesës së taksës dhe origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK-u apo RKS “në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

Autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se ky vendim hyn në fuqi me datën 9 maj dhe është i vlefshëm deri me datën 9 gusht 2024.

Ditë më parë Bashkimi Evropian tha se mbetet në qëndrimin e shprehur më herët se në Kosovë mbështet vetëm një strukturë të vetme institucionale dhe administrative, sipas kornizës ligjore të Kosovës.

Por, në të njëjtën kohë, blloku u shpreh se çështja e institucioneve që mbështeten nga Serbia duhet të zgjidhet përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Çështja e institucioneve serbe në Kosovë u ngrit gjatë takimit të fundit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 25 prill, kur u diskutua për çështjen e dinarit serb.

Gjatë takimit, pala serbe ka kërkuar që të gjitha institucionet serbe, që Kosova i konsideron ilegale, të vazhdojnë të financohen nga Beogradi deri në kohën kur të krijohet Asociacioni. REL

KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës me stërvitje të përbashkët

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ai i Bashkimit Evropian, EULEX, dhe Policia e Kosovës do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët më 7 maj.

E quajtur “Golden Saber 2024”, stërvitja do të zhvillohet në kampin Vrelo.

“Kjo stërvitje do ta testojë aftësinë tonë për të zbatuar procedura të përbashkëta të menaxhimit të krizave, në skenarë të ndryshëm sigurie”, tha KFOR-i përmes një komunikate për media.

Aty thuhet, po ashtu, se stërvitja do të përfshijë “një numër të konsiderueshëm personeli, automjetesh dhe mjetesh që operojnë në të gjithë zonën e stërvitjes, si dhe në rrethinat e saj dhe përgjatë rrugëve kryesore fqinje”.

“Kjo stërvitje e përbashkët simbolizon përkushtimin tonë të fortë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Duke i bashkuar forcat dhe aftësitë tona, ne demonstrojmë gatishmërinë tonë për t’i adresuar sfidat, si dhe përkushtimin tonë për të ruajtur stabilitetin rajonal”, tha KFOR-i.

Misioni paqeruajtës shtoi se pret që stërvitja të kryhet me sukses.

KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. REL

Kurti takim me ambasadorët e QUINT-it, kërkon që normalizimi i raporteve me Serbinë të mos përzihet me anëtarësimin në KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Nëse përzihen, tha Kurti, dëm do t’i shkaktohej edhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që zhvillohet në Bruksel, edhe Këshillit të Evropës si “institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Sipas një deklarate që lëshoi zyra e tij, Kurti i bëri këto komente në një takim me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it: SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

“Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg” dhe se “procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit – vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon”, thuhet në deklaratën për media.

Ditëve të fundit ka pasur raportime se Franca dhe Gjermania po përgatiten ta bllokojnë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si rezultat i një fushate të bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kjo organizatë – lidere në Evropë për të drejtat e njeriut – pritet të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.

Në favor të Kosovës, muajin e kaluar, votoi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti iu tha përfaqësuesve ndërkombëtarë se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe se i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në Këshill të Evropës.

“Me letrën e garancisë, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29)”, citohet të ketë thënë Kurti.

Tash për tash nuk ka ndonjë reagim nga përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, por ata, vazhdimisht, i kanë bërë thirrje Kosovës që të bëjë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke formuar fillimisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe./ REL

Kishin hyrë ilegalisht në Kosovë, ndalohen në Jarinje dy rusë

Ndalohen në Jarinjë dy persona me pasaporta ruse. Ata nuk kishin viza të Kosovës dhe dyshohet se kanë ardhur me anë të rrugëve ilegale, ka deklaruar policia e Kosovës.

“Jarinjë 05.05.2024-20:10. Raportohet se në dalje në SPK Jarinje janë hasur dy persona me pasaporta ruse një mashkull dhe një femer të cilet nuk kishin viza të Republikës së Kosovës. Pas verifikimit të personave, të njejtit nuk kishin hyrje/dalje në Republiken e Kosovës. Sipas tyre, të njejtit kanë ardhe nga Nishi i Serbsë dhe kanë përfunduar në SPK Jarinje, dyshohet se kanë ardhur rrugëve ilegale.”

Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në arrest. sn

Ushtria e Kosovës bëhet me snajperë të rinj

Ushtrisë së Kosovës i janë bashkangjitur disa snajperë të rinj.

Ata përmbyllën me sukses kursin bazë për snajper, duke u certifikuar në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes.

“Kursantët u trajnuan dhe u testuan në distanca dhe kalibre të ndryshme të qitjeve”, lexohet në një njoftim të FSK.

Zëvendëskomandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Kolonel Ilir Shyti, në fjalimin e tij ndër të tjera përmendi që “profesionalizmi ushtarak është qenësor për zhvillimin e aftësive ushtarake sidomos për qitës në distanca të largëta”. Kjo vjen si një përpjekje e Kosovës për të fuqizuar më tej ushtrinë.

Disa ditë më parë, FSK përmbylli me sukses të plotë 3 stërvitje të ndryshme.

Enver Sekiraqa dënohet me 25 vjet burgim

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar të premten Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim, për shtytje në vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza, para 17 vjetëve.

“I akuzuari E.S është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej njëzet e pesë vjet… për shkak të veprës penale nxitje në vrasje të rëndë”, tha Gjykata Themelore në një komunikatë më 3 maj.

Sipas aktakuzës, Sekiraqa e kishte nxitur Arben Berishën në vrasjen e Triumf Rizës më 30 gusht 2007, në Prishtinë.

Triumf Riza ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Në këtë dënim, Sekiraqës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, sipas njoftimit.

Ai ka të drejtë të ankohet ndaj këtij dënimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, tha Gjykata.

Sekiraqa ishte dënuar dy herë me burgim për të njëjtat akuza në të kaluarën, në vitin 2016 me 37 vjet burgim, ndërsa më 2019 me 30 vjet burgim, por Apeli i rrëzoi secilin prej atyre dënimeve duke e kthyer dhe rikthyer rastin në rigjykim.

Më herët, gjykata e ka dënuar Arben Berishën, autorin e vrasjes së Triumf Rizës, me 35 vjet burgim. REL

Qeveria e Kosovës i kundërpërgjigjet zëdhënësit të BE: Hiqni masat

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha sot se për heqjen e masave ndëshkuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, pas kësaj ka reaguar duke publikuar dy fotografi.

Në një foto shihet përplasja e serbëve me trupat e KFOR-it, dhe ka shtuar edhe një fotografi tjetër të kreut të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, i cili sot është vendosur në objektin e Komunës së Zveçanit i papenguar nga askush.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, de-eskalimi ka ndodhur dhe shton se si rezultat i kësaj masat duhet të hiqen.sn

Osmani: Ilaz Kodra ishte dora e djathtë e komandantit legjendar Adem Jashari

Sot Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne në nderim të komandantit të UÇK-së Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorë e martirë që ranë në Drenicë për lirinë e Kosovës më 30 prill, 1999.

Në fjalën e rastit, presidentja Vjosa Osmani tha se heroi Kodra ishte “dora e djathtë e komandantit legjendar Adem Jashari”.

“Bashkë me të, jo vetëm që themeluan bërthamat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por zhvilluan trajnime në Shqipëri, për të qenë gati për ta mbrojtur atdheun”, tha Osmani.

Ajo theksoi se sulmet e regjimit gjenocidal të Serbisë mbi fshatrat e Drenicës, kishin për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar.

“Përballë regjimit kriminal të Serbisë, Ilaz Kodra me bashkëluftëtarë qëndruan të vendosur për të luftuar për idealet e lirisë, drejtësi dhe dinjitet shtetëror”, tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. /Klankosova.tv


Send this to a friend