VOAL

VOAL

Koronavirusi mund të shtyjë mocionin për rrëzimin e qeverisë?

Bekim Bislimi

Kryemnistri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pavarësisht vështirësive nëpër të cilat po kalon koalicioni qeverisës, nuk do ta ndërpresë punën e tij dhe nuk do të ndalet para pengesave.

Qeveria e Kosovës ka pësuar luhatje, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë lindur ndërmjet dy partnerëve të koalicionit, Lëvzjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas vendimit të Kurtit për të shkarkuar Agim Veliun nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo e fundit ka iniciuar dhe proceduar në Kuvendin e Kosovës mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Mocioni i iniciuar nga LDK-ja për rrëzimin e qeverisë së kryeminstrit Kurti ka marrë mbështetjen e të gjitha partive opozitare.

Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media të shtunën, lidhur me angazhimet dhe masat e qeverisë në luftë kundër virusit COVID-19, që njihet si koronavirusi i ri, ka deklaruar se që nga nisma e LDK-së për mocion mosbesimi e deri tash, nuk është takuar me përfaqësuesit e partive opozitare.

“Jo, nuk i kam takuar dhe nuk kemi biseduar për këtë gjë. Jemi plotësisht të përkushtuar në punën që bëjmë në këtë situatë, kur shëndeti publik është para së gjithash dhe mbi të gjitha. Preokupimi im nuk është java e kaluar, në kuptimin politik, por java e ardhshme në kuptimin shëndetësor”, ka thënë Kurti.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të rikthejë në pozitën e mëparshme ministrin Agim Veliu, si dhe ta heqë tërësisht tarifën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kryeministri Kurti, të paktën deri tash, ka refuzuar kthimin e Veliut në qeveri, ndërkaq, nga 21 marsi, ka nisur zbatimin e vendimit për heqjen e tarifës prej 100 për qind për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë për median lokale, Gazeta Express, që e gjithë kjo situatë ka ardhur pasi kryeministri Kurti i ka afër vetes, siç i ka quajtur ai, “disa kokëkrisur”.

Konsideroj se po të mos i kishte z. Kurti disa kokëkrisur afër tij, që gjërat i interpretojnë kështu, nuk do të kishim ardhur në këtë situatë ku jemi”, ka thënë Mustafa.

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se situata politike e krijuar si rezultat i përplasjeve brenda koalicionit qeverisës, është krejtësisht e pakuptimtë për qytetarët e Kosovës, në gjendjen aktuale me koronavirusin.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se në bazë të deklaratave që kanë dhënë përfaqësuesit e të dy partnerëve të koalicionit qeverisës, Vetëvendosjes dhe LDK-së, çarja e krijuar ndërmjet tyre është shumë e madhe.

“Ekziston një hendek i pakapërcyeshëm, sepse nuk ka asnjë indikacion që qëndrimet e tyre do të mund të ktheheshin prapa, repsektivisht vendimi i kryeministrit Kurti për shkarkimin e Agim Veliut ose pranimi i LDK-së që të vazhdojë bashkëqeverisjen pa prezencën e Veliut në qeveri. Në bazë të deklarimeve, shihet që nuk ekziston vullneti që të kërkohet një rrugë e mesme dhe, sipas të gjitha gjasave, do të procedohet me mocionin e mosbesimit në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Muhaxhiri.

Sipas tij, marrë parasysh disponimin e LDK-së, por edhe të partive opozitare, në rast se mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për mocionin e mosbesimit ndaj qeverië, nuk do të ketë problem për t’u siguruar shumica e votave (61 vota) për kalimin e mocionit të mosbesimit.

Megjithatë, sipas tij, në mënyrë paradoksale, koronavirusi mund të jetë pengesa e vetme që të mos bie qeveria.

“Në Kuvendin e Kosovës nuk mund të respektohet distanca sociale ndërmjet deputetëve, prandaj edhe ekziston mundësia që seanca të shtyhet për çështje teknike ose eventualisht të kërkohet ndonjë hapësirë tjetër, e cila në këtë situatë emergjente do të mund ta zëvendësonte hapësirën e Kuvendit të Kosovës. Pra, të zhvendosej kjo mbledhje në një ambient tjetër, i cili do ta mundësonte respektimin e distancës sociale prej 1.5 deri 2 metra larg njëri-tjetrit”, tha Muhaxhiri.

Insitucionet shëndetësore të Kosovës janë duke u sjellë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Shendetësisë, të cilat si masë parandaluese ndaj përhapjes së koronavirusit, nuk parashohin tubimet e njerëzve.

Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se respektimi i distancës sociale është rekomandim për të gjithë qytetarët e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të infeksionit dhe se rregullat vlejnë për të gjithë.

Kryeministri Kurti, më 18 mars, ka shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, me arsyetimin se Veliu ishte deklaruar “kundër qëndrimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme” për shkak të situatës me koronavirus. Po ashtu, sipas Kurtit, Veliu ka përhapur panik, duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.

Për më shumë, një ditë më parë, më 17 mars, shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme kishte rekomanduar edhe vetë kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Po të njëjtën ditë, në mbrëmje, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një koferencë për media, deklaroi se do të propozonte në Kuvendin e Kosovës dekretin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, pas situatës së krijuar me shpërthimin e koronavirusit të ri.

Megjithatë, deri më sot, presidenti Thaçi nuk e ka ndërmarrë këtë veprim.

Sot dy vite më parë e humbëm Çakorrin: EDHE PAS DY VITEVE QAN, RENKON DHE VAJTON ÇAKORRI – Nga BINAK MAXHARRAJ

-Mallkue qofshin ata, që lejuan ta humbim Çakorrin. Mallkimi i historiesë do të bjerë mbi ta.

-Presidenti I Malit të Zi Milo Gjulanoviq ua ka ba me dije liderve qyqana se puna e Çakorrit është e mbyllur. Tani Çakorri është i joni dhe nuk e leshojmë më kurr. E lidhim dhe nuk e leshojm.

Gjamë e madhe dhe shumë e dhimbëshme edhe pas një viti po ndihet në Çakorr. Janë çue peshë Dragoj e Kulçerda, për më i dalë në ndihmë Çakorrit. Nga të ramët e tyre të forta dhe zjarrin që qesin nga goja e tyre është çarë bjeshka, po lëvizin gurë të mëdhenj dhe po rrokullisën teposhtë Rugovës. Po vajtojnë edhe Zanat e Malit, po kukasin për humbjën e vëllaut të tyre, Çakorrin

Po qan dhe vajton Çakorri, sepse i ka ndodhë diçka e keqe, diçka e tmershme, që nga antitekti kur është aty si mrekulli e Zotit, Çakorri e ka nisë vajtimin, po kërkon ndihmë. Lutet për ndihmë, kërkon që ta shpejtojnë, kërkon të kthehet në Kosovë, gjama e tij po dëgjohet larg, shumë larg, deri lart në kupë të qiellit, po ndihet gadi në terë Rrafshirën e Dugagjinit.
Ia ndëgjuan kukamën edhe Bjeshkët e Kelmendit, ia ndegjuan zanin, Sharri, Çiçavica, Savinovoda, Çerovoda, Mokna dhe Bjeshkët e Thata, po kanë dhembje për Çakorrin me te cilin u linden dhe u rritën nen këtë qiell së bashku, sepse ai po qan dhe rënkon janë rritë së bashku, po kërkon ndihmë, po kërkon të shpëtohet

Kurrë në historin e vetë Çakorri nuk është dorëzu, nuk është koritë, ka qëndruar stoikisht, është përballë më stuhitë e kohës, u ka ba ballë të gjitha ushtrive barbare që deshtën ta pushtojnë, i ka ba ballë edhe luftrave të Mark Milanit, i cili donte ta merrte, bile edhe me forcë Çakorrin, por ai qëndroi e luftoi së bashku me kreshiket e Rugovës dhe kurrë nuk u dorëzua.

Por, tani Çakorri po dorëzohet, sepse po donë ta largojnë nga aty ata qe kurr së ka pritë. Ia këthyen shpinën tradhetaret e kombit, të cilët nuk punojnë për shtet por veç për pushtet e për pasurimin e vetëvehtës

Po qan, vajton e rënkon Çakorri, sepse para një viti, në një sallë të madhe në qendër të Prishtinës ishin mbledhë të gjithë korbat dhe sorrat e zeza shqiptare ne një pazar të madhe për me e falë këtë nuse më të bukurën të Kosovës, për te ia falë nipit te Mark Milanit. Janë mbledhë aty korbat dhe kryekorbat së bashku me sorrat e zeza qe nuk dinë së çka është Çakorri, nuk dinë dhe çfarë rëndësie, çfare bukurije jetike ka për Kosovën. Nuk dinë sepse korbat dhe sorrat e zeza janë rritë nepër shkurrat e Drenices, Llapit, Gollakut dhe Karadakut, janë rritë nepër puset e Bullicave, që kurrë nuk kanë shijuar erë dhe aromë të këndëshme te pishave mijëvjeqare të Çakorrit.

Po pse, qan e rënkon Çakorri? Qan e rënkon Çakorri, sepse korbat e zi e ndanë nga trolli i vet, nga njerëzit e vet, e ndanë nga kreshnikët e Rugovës, me të cilët është rritë dhe ka lëshuar shtat. Rënkon Çakorri, e duke qarë thotë pse po ma bajnë këtë, kur dihet që me shekuj qëndrova këtu, qëndrova këtu si nuse në divan, për t’i dhënë hijeshi dhe bukuri krejtë Kosovës, iu bëra ballë të gjitha stuhive dhe luftarat e barbarve, që kurrë nuk me mundën. Po pse ma bëtë këte, o ju horra, o korba të verbër, që nuk shihni më larg së deri të hunda e juaj.

Unë dua që të kthehem – nuk rri në Mal të Zi, sepse unë nuk dua t’i takojë tokave të Mark Milanit, i cili ka tentuar të na i zhdukë rrënjët tona nga këto troje. Nuk dua të rrijë në tokë të huaj, sepse nuk e di as gjuhën e tyre, nuk i di adetet e tyre. Dua te rri këtu në vendin tim, në trollin tim, sepse gjuha e ime është gjuha e bukur dhe e ëmbël shqipe. E kam mësuar këtë gjuhë së bashku me Kreshnikët e mi rugovas, të cilët i dua shumë dhe nuk mund te ndahem nga ata.

Edhe pas dy viteve viti, horrat që e shitën Çakorrin, nuk banë asgje për ta kthyer. Ata veç e kishin mashtruar veten, Parlamentin dhe popullin se do ta kthejnë Çakorrin, por jo nuk e banë. Ymytin ua preu edhe Presidenti i Malit të Zi Mile Gjukanoviq i cili disa here ka deklaruar:harrojeni Çakorrin,tanime ai është i joni dhe I humbur për ju Pse nuk e bënë këtë një ditë koha do te tregojë, atëherë ata do të turpërohen para popullit, pra vetes, para familjes,para femijëve te tyre për tradhëtinë kombëtare dhe mashtrimin e madh, që i banë atdheut.

Kurti: Pasojat e këtij virusi do t’i njohim dy javët e ardhshme

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë apeluar te qytetarët që të mbajnë pastërti individuale, distancë sociale dhe të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi, me qëllim për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media para godinës së qeverisë, kryeministri Kurti tha se përhapja e koronavirusit po zgjerohet dhe se Kosova ende është “në fazën e parë” në përballje me këtë virus.

“Virusi COVID-19 ka një përhapje të tillë për të cilin ne do ta njohim të vërtetën dhe shkaqet e tij vetëm në dy javët e ardhshme. Le t’i paraprijmë pra. Lakorja e përhapjes apo shpërndarjes së tij është në dorën tonë. Nëse tregohemi të përgjegjshëm, ajo do të jetë e ulët dhe jo shumë e shtrirë. Në këtë kohë në veçanti duhet t’i mbrojmë pleqtë tanë”, tha Kurti, duke shtuar se të rinjve mund t’ju duket se nuk janë të sëmurë për shkak të imunitetit të tyre më të fuqishëm, por ata mund të jenë bartës të virusit.

Duke bërë thirrje për disiplinë individuale, higjienë personale dhe përgjegjësi qytetare, Kurti njoftoi se ditëve të ardhshme do të takohet me kryetarët e Komunave të Kosovës për t’i dëgjuar shqetësimet e tyre lidhur me menaxhimin e pandemisë.

Ndërka, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se të gjitha masat që do t’i ndërmarrin autoritet e shtetit për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, nuk do të mund të jenë efektive nëse në këtë luftë nuk bashkëngjiten edhe qytetarët.

Vitia tha se autoritetet shëndetësore në vend tashmë kanë porositur edhe respiratorë shtesë për t’i rritur kapacitetet.

“Përtej masave që kemi ndërmarrë deri më tani, për momentin dua t’ju informoj se në Kosovë janë 142 respiratorë, 95 në sektorin publik dhe 47 në atë privat. Me qëllim që t’i formësojmë këto kapacitete kemi porositur blerjen edhe të 50 respiratorëve të rinj dhe gjithashtu po presim që të porosisim edhe një kontingjent tjetër”, tha Vitia, duke shtuar se nga respiratorët e porositur një pjesë do të vije në Kosovë në muajin prill, ndërsa pjesa tjetër në muajin maj.

Kujtojmë se nga gjithsej 417 persona të testuar në Kosovë, 24 raste kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

Qeveria e Kosovës dje mori masa parandaluese për përhapjen e këtij virusi, duke mbyllur të gjitha parqet në territorin e Kosovës nga ora 08:00 deri në ora 20:00, si dhe ka obliguar marketet që konsumatorët të mbajnë distancë prej një metër, ndërkohë lokalet janë ndaluar plotësisht të shërbejnë kafe.

Kryeministri Kurti hoqi tarifat për importet e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është vendosur heqja e tarifave për lëndën e parë nga Serbia e Bosnja dhe nga një prilli tarifat do të zëvendësohen me masa të reciprocitetit të plotë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha qeveria e tij vendosi të lirojë nga tarifa 100 për qind importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Në një postim ai tha se vendimi u mor më 10 vota për dhe dy abstenime në mbledhjen e qeverisë, ku nuk u përfshinë ministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Sonte, nga ora 24:00 do të hapen gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, për importimin e lëndës së parë. Kurse, deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerr një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100 për qind”, shkroi ai.

Vendimi i sontëm është në vijë me qëndrimin e zotit Kurti të shprehur më 26 shkurt për heqjen e kushtëzuar të tarifave ndaj mallrave serbe, që nuk ishte mbështetur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ishte cilësuar si një “masë gjysmake” nga ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidenti Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Mospajtimet rreth tarifave ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkaktuan përçarje që kulmuan të mërkurën me shkarkimin e ministrit të Brendshëm.

Lidhja Demokratike që i kishte kërkuar zotit Kurti heqjen e plotë të tarifave sipas kërkesës amerikane, të premten dorëzoi në parlamentin e Kosovës një mocion për rrëzimin e qeverisë. zëri i amerikës

Votimi i mocionit të mosbesimit mund t’i shkelë rregullat kundër COVID-19

Luljeta Krasniqi – Veseli

Lidhja Demokratike e Kosovës është në proces të thirrjes së seancës së jashtëzakonshme për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë aktuale, pjesë e së cilës është edhe vet.

Por problem mbetet mbajtja e kësaj seance në rrethanat e krijuara me pandeminë e COVID-19. Rregullat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi bazën e të cilave po sillen edhe institucionet shëndetësore në Kosovë, si masë parandaluese ndaj përhapjes së virusit, nuk parashohin tubimet e njerëzve.

Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive, i tha Radios Evropa e Lirë se tanimë kanë dhënë rekomandimet për të gjithë qytetarët e Kosovës që të kenë kujdes në aspektin e mbajtjes së distancës sociale për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të infeksionit dhe se rregullat vlejnë për të gjithë.

“Ne kemi bërë thirrje vazhdimisht për të ruajtur distancën sociale dhe tani ne kemi parë se institucione të ndryshme, po ashtu edhe bizneset private, kanë aplikuar këtë rregull. Mendoj që mund të ketë forma tjera të mbajtjes së takimeve të tilla, ka mundësi të mbajtjes në formë elektronike ose video-konferenca, prandaj besoj që institucionet qeveritare do t’i marrin të parasysh këto gjëra”, thotë Krasniqi.

Votimi i mocionit të LDK-së për rrëzimin e qeverisë, sipas nënkryetares së Kuvendi të Kosovës, Arbërie Nagavci, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk mund të mbahet.

Nagavci, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se çdo kërkesë për të mbledhur kuvendin nënkupton thyerje të udhëzimeve që janë dhënë nga Instituti i Shëndetësisë Publike edhe ekspertët shëndetësorë.

“Për të mbajtur seancën nënkupton që duhet të jemi më shumë se 150 persona në sallë e cila nuk i plotëson kushtet dhe distanca është e vogël dhe kjo është papërgjegjësi e plotë. Unë do të përdori të gjitha kapacitetet që mos të ndodhë një gjë e tillë, aq më shumë për një kërkesë të tillë në këtë kohë krize, vendi të mbetet pa institucione”, tha ajo.

“Shpresoj të mos vijë një mocion i tillë apo kërkesë. Ne do të përdorim rrugët ligjore që të jemi korrekt edhe ndaj qytetarëve, pasi që mbledhja e 150 personave është rrezik në përhapjen e virusit COVID-19”, tha Nagavci.

Për të thirrur një seancë kërkohet mbledhja e 40 nënshkrimeve, kurse për t’u miratuar ky mocion, kërkohet vota e më shumë se gjysmës së deputetëve nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.

Mocioni i iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për mosbesim ndaj qeverisë vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm, Agim Veliun (LDK), pasi ai doli në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, masë kjo që u kundërshtua nga kryeministri Kurti.

Ky mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, është mbështetur edhe nga partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.

Në përkrahje të mocionit ka dal edhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike, por që nuk ka treguar unitet të plotë në këtë vendim.

Por mendim të ndryshëm nga grupi parlamentar i LDK-së për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti ka pasur kryetarja e Kuvendit e Kosovës dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani dhe tre deputetë të tjerë.

Kuvendi pranon kërkesën për mocion mosbesimi ndaj qeverisë

Kuvendi i Kosovës ka pranuar të premten dokumentin e nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes së cilit kërkohet mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti.

Zyrtarë nga Kuvendi i Kosovës, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, pranimin e shkresës.

Ndërkohë edhe vetë LDK-ja, ka bërë të ditur se ka dorëzuar mocionin me 46 nënshkrime në këtë institucion.

“Përkundër vendimit të Kryesisë së LDK-së, kryetari Mustafa i ka dhënë një mundësi shtesë Kryeministrit Kurti që të reflektojë sot në heqjen e plotë dhe pa kushte të tarifës si dhe ta kthejë në detyrë ministrin Veliu, me kërkim falje për veprimin e ulët ndaj tij. Por Kryeministri nuk reflektoi. Prandaj sot në fund të orarit të punës, LDK ka dorëzuar kërkesën për mocion të mosbesimit me 46 nënshkrime”, ka thënë LDK përmes një postimi në Facebook.

Vendimi për mocion është marrë pasi kryeministri Kurti ka shkarkuar Agim Veliun nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Më herët gjatë së premtës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës , që ta heqë tarifën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe ta anulojë vendimin për shkarkimin e ministrit Veliu.

“Edhe sot përulem para popullit tim dhe kërkoj mirëkuptim nga partia ime. Pres edhe sot që zoti Kurti ta heqë tarifën, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Atij dhe LDK-së t’i kërkojë falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët. Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, është shprehur Mustafa në një postim në Facebook.

Pas vendimit për nisje të procedurave për mocion mosbesimi ndaj qeverisë, Mustafa ka zhvilluar takime me liderë të partive opozitare në Kosovë, dhe deri më tani ka fituar përkrahjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosoves, Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re për rrëzim të qeverisë.

Këto zhvillime politike në Kosovë zhvillohen në kohën e përhapjes së koronavirusit.

Të enjten mbrëma, qytetarët në Prishtinë kanë protestuar kundër krizës qeveritare, duke bërë zhurmë nga ballkonet e tyre. rel

Rreth 850 shtetas kërkojnë të kthehen në Kosovë

Shkëlqim Hysenaj

Derisa Kosova po vazhdon të sfidohet nga menaxhimi i situatës së shkaktuar nga shfaqja e koronavirusit të ri, një numër i madh i shtetasve të Kosovës që kanë mbetur nëpër vende të ndryshme të botës, kanë kërkuar të kthehen në Kosovë.

Rreth 850 qytetarë janë lajmëruar në ambasadat që Kosova ka në botë, të cilët kanë bërë kërkesë që të rikthehen.

Vetëm të premten, rreth 180 kosovarë të kthyer nga Gjermania do të vendosën në Qendrën për Studentë në Prishtinë, e cila është shndërruar në karantinë me kërkesë të Qeverisë së Kosovës.

Alban Zogaj, shef i kabinetit të Ministrit të Transportit, thotë se institucionet janë duke bërë gati një listë me kërkesat e qytetarëve që aktualisht janë jashtë vendit dhe që kanë kërkuar kthimin në Kosovë.

“Ambasadat dhe Ministria e Punëve të Jashtme po krijojnë lista të qytetarëve të cilët kanë urgjencë që të kthen në Republikën e Kosovës. Deri më tani kemi rreth 850 qytetarë që janë lajmëruar në ambasadat përkatëse. Sot na vjen fluturimi i radhës nga Gjermania, ku pritet që të kthehen rreth 180 qytetarë. Javën e ardhshme do të merremi me të gjitha rastet veç e veç. Kërkesat më të mëdha i kemi prej Gjermanisë dhe Zvicrës, kurse nga vendet e tjera numri i qytetarëve është më i vogël, pra do të shohim si do t’i organizojmë në ditët në vijim”, tha Zogaj.

Këshillat e OBSH-së për koronavirusin
Fotogaleri

Këshillat e OBSH-së për koronavirusin

Përgjigjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në disa nga pyetjet më të shpeshta.

Në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës gjithçka është bërë gati për t’i pranuar personat që kthehen në Kosovë nga vendet tjera.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, tha se stafi i qendrës është duke menaxhuar qëndrimin e personave që janë kthyer nga vendet e jashtme e të cilët janë vendosur në karantinë për 14 ditë.

Sfishta tha se Qendra e Studentëve ka në dispozicion rreth 4,000 shtretër, mirëpo sipas tij, jo të gjithë i plotësojnë kushtet për karantinë.

“Qendra e Studentëve i ka kapacitet 4,000 shtretër, mirëpo për këtë gjendje që ka ardhur të përshtatshme janë katër konvikte me rreth 1,700 shtretër. Do të thotë janë të përgatitur të gjitha, pra është dita e tretë që kanë nisur të vendosen në karantinim persona të ardhur nga jashtë, në konviktin numër tetë. Pastaj do të vazhdohet me konviktin, gjashtë e shtatë. Ka specifika të veçanta. Këto tjerat konvikte janë me banjë kolektive. Banjat kolektive nuk rekomandohen nga Instituti i Shëndetësisë Publike, pasi përdoren nga shumë persona”, tha Sfishta.

Në procesin e sistemimit të të kthyerve është duke ndihmuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës. Me kërkesë të qeverisë, FSK-ja, është duke kryer transportin e personave që nga Aeroporti “Adem Jashari” dërgohen direkt në karantinë.

Shefi i Zyrës për Informim në Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës, Ibrahim Shala, tha për Radio Evropa e Lirë, se FSK-ja do të vazhdojë të bëjë transportimin e qytetarëve që vijnë nga jashtë.

“Ne jemi duke i kryer detyrat aty ku na është kërkuar. Deri m; tani ne kemi kryer operacione logjistike, si për shembull mbështetjen me tenda, me kontejnerë, me transport të udhëtarëve siç është rasti i fundit, transporti i udhëtarëve që bëhet nga aeroporti që janë të dyshuar për infektim me koronavirus dhe që barten deri te karantina ku është caktuar, në këtë rast te Qendra e Studentëve në Prishtinë”, tha Shala.

Infografikë

Si të përballeni me stresin gjatë shpërthimit të koronavirusit?

Përveç Qendrës së Studentëve, në Kosovë aktualisht nuk ka ndonjë objekt tjetër të shndërruar në karantinë, ndonëse janë përmendur opsione të shumta.

Në rast të rritjes së numrit të qytetarëve që duhet vendosur në karantinë, atëherë, do të mendohet edhe për vende të tjera që plotësojnë kushtet e kërkuara nga Instituti i Shëndetësisë Publike, thotë zëvendësministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Izet Sadiku.

“Shtretër i kemi kapacitetet që i ka Qendra e Studentëve. Mirëpo, përveç shtretërve në qoftë se do të rritet numri, atëherë qeveria do të mendojë edhe për shtretër rezervë, vende të tjera. Për momentin edhe një grup i qytetarëve që do të kthehet sot do të ketë vend për vendosjen e tyre në Qendrën e Studentëve”, tha Sadiku.

Zëvendësministri Sadiku thotë se të gjithë të kthyerit do të qëndrojnë karantinë të obligueshme për 14 ditë, duke bërë të ditur se jo gjithsecilit do t’i bëhet testi për të parë nëse është i prekur me koronavirus.

Për masat që do të merren me të kthyerit nga jashtë Kosovës, Sadiku thotë se vendos Instituti i Shëndetësisë Publike.

Aktualisht Kosova ka 21 raste të konfirmuara me koronavirus, prej tyre shumica janë qytetarë të ardhur nga vendet e ndryshme të Evropës, kryesisht Italia, vend ky që po prin në botë për nga numri i vdekjeve si pasojë e koronavirusit.

Edhe sonte anembanë Kosovës protestohet me tenxhere e lugë, organizatorët thonë se janë apartiakë

Edhe sonte planifikohet të ketë protestë me lugë e tenxhere prej orës 20:00. Replikë, që inicoi protesten e djeshme, kërkon që qytetarët të dalinë në ballkon e dritare dhe të bëjnë zhurmë sërish mbrëmjen e sotme.

Grupi i aktivistëve të cilët thonë se janë apartiakë, i quajtur Replikë, njofton se edhe sot vazhdon protesta me tenxhere e tiganë e nisur mbrëmë si revoltë e qytetarëve të Kosovës ndaj përcarjeve në skenën politikë, në situatën e krijuar nga pandemia Covid-19.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës kurrë nuk kanë qenë më të revoltuar se tash, andaj ne do të vazhdojmë me natën e dytë të #protestojmënballkon duke i’u drejtuar skenës politike se qytetarët dhe përgjegjesia publike duhet të jetë interesi parësor dhe i vetëm. Kërkojmë që krerët e koalicionit qeverisës, Presidenti dhe partitë opozitare të bashkohen për mobilizim të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 dhe jo të fokusohen në interesat partiake dhe personale të tyre”, thuhet në njoftim.

“Replikë” u bën thirrje të gjithë qytertarëve të Kosovës, në qytete e në fshatra, që për pesë minuta të dalin në ballkon ose në dritare dhe të bëjnë zhurmë me celëse, tenxhere apo lugë.

“Më 20 mars, përmes daljes të secilit prej neve në ballkon ose dritare në ora ‪20:00 për 5 minuta në të gjithë qytetet dhe fshatrat e Kosovës po krijojmë zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme si (çelësa ose tenxhere dhe lugë), për të kërkuar reflektim nga të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit institucional në Kosovë ndaj situatës së krijuar dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas në Kosovë”

Mustafa ultimatum Kurtit: Hiqi tarifat – anuloje shkarkimin e ministrit të Brendshëm

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i bëri thirrje të premten kryeministrit Albin Kurti që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe dhe të anulojë vendimin për shkarkimin e ministrit të brendshëm, për të shmangur rrëzimin e qeverisë.

Në një postim në llogarinë e tij në facebook, zoti Mustafa shkruan se me 16 mars të këtij viti i kishte drejtuar një letër kryeministrit Kurti duke theksuar se “nuk duhet të rrezikojmë partneritetin me Shtetet e Bashkuara. Se duhet ta heqim tarifën dhe qeveria ta merr përgjegjësinë që i takon në dialog”.

Në letër ai i kishte kërkuar kryeministrit që të hiqen tarifat gjatë kësaj jave. “Nëse vazhdohet kështu, posa ta kapërcejmë këtë situatë emergjente me Virusin, si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor”.

Por, shkruan zoti Mustafa, “përgjigjen që e mora nga kryeministri Kurti, më 18 mars ishte shkarkimi në kundërshtim me Marrëveshjen për koalicion, të nënkryetarit të parë të LDK-së, z. Agim Veliu nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe shpallja e tij, hiq më pak se, tradhtar në adresimin e tij qytetarëve në mbrëmjen e asaj ditë. Pyes, juve qytetarë të nderuar, edhe disa nga juve përfaqësues të korit diplomatik, por edhe dy tre deputetë të LDK-së: A është ky veprim i drejtë i Kryeministrit tonë? A flet ky veprim se Kryeministri Kurti është i përkushtuar ta ruaj koalicionin dhe ta luftojmë bashkërisht Virusin Corona? Ju pyes, çfarë vendimi tjetër do të duhej të merrte LDK, kur kaq keq injorohet dhe poshtërohet nga Kryeministri i vendit?”.

“Unë nuk jam i ri të ndikohem nga të tjerët e as aventurier. Jam shumë i brengosur për njerëzit tanë, qytetarët e këtij vendi. Dua që unë dhe partia ime të japë çdo gjë dhe ta fitojmë betejën ndaj këtij virusi. Dua që të bashkëpunojmë me partnerët tanë strategjik dhe të mos e humbim përkrahjen e tyre.

Edhe sot përulem para popullit tim dhe kërkoj mirëkuptim nga partia ime. Pres edhe sot që zoti Kurti ta heq tarifën, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Që atij dhe LDK-së t’i kërkoj falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët. Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, përfundon zoti Mustafa.

Të mërkurën në mbrëmje, Lidhja Demokratike paralajmëroi nismën për një mocion mosbesimi për qeverinë e kryeministrit Kurti vetëm disa orë pasi që zoti Kurti shkarkoi ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, për shkak të mospajtimeve rreth shpalljes apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën po e kërkon presidenti Hashim Thaçi, por pa pajtimin e kryeministrit.

Kryeministri Kurti, tha se do të pres të shoh veprimet e Lidhjes Demokratike para se të komentojë nismën e saj.

Nisma u kritikua nga vëzhgues, analistë e organizata joqeveritare që e shohin atë si zhvillim i dëmshëm në kohë pandemie.

Kosova po përballet me virusin Covid-19 dhe aktualisht numëron 21 raste të konfirmuara të të infektuarve.

Të enjten mbrëma, qytetarët protestuan duke bërë zhurmë me çelësa, tenxhere e tiganë, nëpër ballkonet e tyre, në shenjë pakënaqësie me zhvillimet politike në vend.

Organizatorët e protestës thanë se qytetarët e Kosovës në kohë pandemie po përballen me interesa personale dhe partiake të politikanëve të Kosovës.

Qeveria e koalicionit ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike është formuar në fillim të muajit shkurt dhe është gjetur nën trysni për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe që u vendosën në nëntorit të vitit 2018, duke cuar në pezullimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Lidhja Demokratike nuk është pajtuar me qëndrimin kryeministrit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tarifave, duke kërkuar që ato të hiqen tërësisht sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë. zëri i amerikës

LETER E SHKURTËR AMBASADORIT AMERIKAN NË KOSOVË PHILIPE KOSNETT – Nga BINAK MAXHARRAJ

 

-I NDERUARI DHE SHUMË I RESPEKTUARI AMBASADOR
PHILIPE KOSNETT.

AMBASADOR PHILIP KOSNETT,MBROJE KOSOVË[N NGA GRABITËQARET,NGA TE KORRUPTUARIT,NGA TE PAFYTYRIT TE CILË NUK JANË FARE TE INTERESUAR PËR TË NDERTUAR SHTETIN POR PËR TA SHAKTERRUAR ATE.

TREGOJA TE VERTETËN DEPARTAMENTIT DHE QEVERISË AMERIKANE TË VERTETËN PËR PUNËN E QEVERISË.

MOS LEJO QE NE AS NJË MENYRË TË RREXOHET QEVERIA ME E SUKSESHME DERI ME TANI NË kOSOVË,E CILA PO LUFTON ME TE KORRUPTUARIT QE E SOLLËN KËTË VEND NE KËTË SITUATË.

PO A RREXOHET QEVERI E PAKORRUPTUAR PËR TU KËTHYER PERSERI TE KORRUPTUARIT.

PO A RREXOHET QEVERIA QE SE KA SNJË MUAJ PUNË NË DETYRË.

A RREXOHET QEVERIA NË KËTË SITUATË NE TE CILËN PO GJENDET KOSOVA PËR INATET E TE KORRUPTUARVE DHE PËRBALLJËN ME CORONA VIRUSIN.

TI E DINË FARE MIRË SE ALBIN KURTIN PO E QUAJN ANTIAMERIKAN,ATA ANTIAMERIKANËT E VËRTËTË.

PASIQE ALBIN KURTI NA QENKA ANTIAMERIKAN SIPAS FJALËVE TE ANTIAMERIKANEVE TË VËRTËTË TË KLIKËS SË KORRUPTUAR TE KOSOVËS ATEHERE SHTROHET PYETJA SE PSE:

POPULLI I KOSOVËS SI POPULL MË PROAMERIKAN NË BOTË E ZGJODHI ALBIN KURTIN PËR KRYEMINISTËR.

DIJE MIRË SË ELITA E KORRUPTUAR NË KOSOVË PO E LYPË SHPETIMIN E SAJË DUKE E RRXUAR QEVERIN,QE TI IKUN PËRGJEGJESISË SË TYRE NE SHKATERRIMIN E KËTIJ SHTETI.

Shumica e deputetëve të LDK-së përkrahin mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti

Arben Gashi, Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka përkrahur vendimin e kryesisë së LDK-së për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se fillojnë përgatitjet për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.

“Duke marrë parasysh rrethanat në të cilat që gjendemi, duke marrë parasysh situatën emergjente me koronavirusin dhe duke pasur parasysh se në konsideratën tonë është jashtëzakonisht e rëndësishme raportet që duhet t’i këtë Kosova me SHBA-në, ne vlerësojmë se shkarkimi i ministrit Veliu nga kryeministri Kurti ëshët i qëllimshëm”,

Gashi, shtoi se kryetarja e Kuvendit e Kosovës dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka pasur mendim të ndryshëm nga grupi parlamentar për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Sipas tij, edhe deputetë të tjerë kanë shprehur rezerva për inicimin e mocionit, por nuk i ka treguar emrat.

Mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, të cilin e ka inicuar Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mbështetur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.
Si filloi kriza qeveritare?

Partnerët e koalicioni qeverisës në Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë pasur në vazhdimësi mospajtime në lidhje me shfuqizimin e tarifës ndaj importeve nga Serbia, që shihej si pengesë për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi. Heqjen e tarifën e kanë kërkuar më ngulm Shtetet e Bashkuara.

Mirëpo, kulmi i përçarjes mes koalicionit qeverisë arriti më 18 mars kur kryeministri, Albin Kurti (VV) shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm, Agim Veliun (LDK), pasi ai doli në favor të dekretit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, masë kjo që u kundërshtua nga kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës tashmë ka shpallur gjendjen e emergjencës së shëndetit publik për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Pas shkarkimi të ministrit Veliu, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili i kërkoi Kurtit ta anulojë vendimin, në të kundërtën, gjithë kjo situatë, sipas tij, mund të çojë në prishjen e koalicionit.

Konform këtij qëndimi të liderit të LDK-së, Kryesia e kësaj partie u mbodh dhe vendosi të iniciojë rrëzimin e qeverisë. rel

Kurti: I kam kërkuar Mustafës emër tjetër në vend të Agim Veliut

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë arsyet se pse shkarkoi ministrin e brendshëm Agim Veliu që mund të çojë në rrëzimin e qeverisë së tij.

Kurti shprehet se pasi Veliu deklaroi se ishte pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, bëri tradhëti të dyfishtë ndaj qeverisë dhe Policisë pasi i nënçmoi në detyrën e tyre për të përballuar koronavirusin.

Kryeministri kosovar shprehet se nuk pati zgjidhje tjetër vetëm se të shkarkojë Veliun dhe t’i kërkojë Mustafës një emër tjetër për ministër të brendshëm.

“ I pyetur nga gazetari se a jeni pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ish-ministri tha po sigurisht, kjo është e palejueshme dhe unë nuk kisha zgjidhje tjetër përpos ta liroj nga detyra ish-ministrin Veliu. E kam njoftuar kryetarin e LDK-së dhe kam kërkuar një emër tjetër”, ka thënë Kurti.

“Të jesh ministër i punëve të brendshme dhe të kërkosh kokë në vete shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme do të thotë ta nënçmosh Policinë e Kosovës”, shtoi kryeministri Kurti.

Raportuesja për Kosovën: Presidenti Thaçi dhe LDK po duan ta grabisin pushtetin në kohë të koronavirusit

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von-Cramon u ka bërë thirrje LDK-së që të anulojë mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë Kurti.

Gazeta Express ka pyetur raportuesen për Kosovën në PE Viola Von-Cramon pas postimit të saj sot në Twitter ku ka thënë se “mocioni i votëbesimit nga LDK-ja për qeverinë Kurti ku bënë pjesë edhe vet do të ishte katastrofal për Kosovën”.

Deputetja e Parlamentit Evropian ka deklaruar se LDK-ja dhe Presidenti Thaçi po duan që të shfrytëzojnë krizën e koronavirusit për të marrë pushtetin.

“Partneri I koalicionit në qeverinë e Kosovës, LDK-ja ka njoftuar se do të iniciojë mocion votëbesimi ndaj qeverisë Kurti e cila ka marrë detyrën para më pak se 50 ditë. Presidenti Hashim Thaçi gjithashtu dëshiron që të përdorë koronavirusin për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme jo vetëm që të fitojë më shumë pushtet por të shfrytëzojë këtë moment për të larguar nga pozita kryeministrin Albin Kurti”, ka thënë Von-Cramon.

Viola Von-Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian ka deklaruar se partnerët e koalicionit duhet ta konsiderojnë suspendimin e vendimit për mocion votëbesimi deri në përfundimin e krizës së pandemisë

“Presidenti Thaçi dhe partneri I koalicionit LDK-ja, janë duke e shfrytëzuar krizën e koronavirusit si pretekst për lojërat e tyre me pushtetin. Arsyeja e lidershipit të LDK-së për mocion votëbesimi ndaj qeverisë është e qartë që nuk është përgjigje e duhur se si të trajtojnë krizën aktuale. Ata duan të sigurohen që në instancat ndërkombëtare lideri legjitim I zgjedhur dhe kryetari I ekzekutivit, Albin Kurti të mos ketë mundësi të udhëheqë dialogun. Në periudhën e rrethanave të jashtëzakonshme dhe të mbylljes së kufijve, ku jeta politike është pezulluar në masë të madhe, partnerët e koalicionit duhet të të konisderojnë për suspendimin e vendimit për mocionin e votëbesimit deri në përfundimin e krizës së shëndetit publik”, ka thënë deputetja e Parlamentit Evropian.

Tutje, raportuesja për Kosovën ka deklaruar se është në interesin e Bashkmit Evropian dhe ShBA-së që Kosova të ketë një qeveri funksionale dhe stabile.

“Është në interesin vital të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së që Kosova të ketë një qeveri funksionale dhe stabile e cila deri tani ka shfaqur një vullnet të mirë për të bashkëpunuar me Beogradin dhe me akterët ndërkombëtarë. Ne nuk duhet të gabojmë, kriza është për atë se kush duhet të ulet në tavolinën e dialogut. Kjo gjë duhet të jetë detyrë e qeverisë dhe jo akterëve tjerë. SHBA-ja nuk duhet t’i qëndrojë mbi kokë qeverisë me qëllim të mbrojtjes së interesave të veta shkurtpamëse biznesore. Ne duhet të përpiqemi për stabilitet dhe përgjegjësi të qarta, jo për marrëveshje të errëta pas dyerve të mbyllura”, ka thënë Von-Cramon./GazetaExpress/

Vetëvendosje hap temën e zgjedhjeve: Jemi të gatshëm e superiorë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje. Ai po thotë se Agim Veliu, kur e ka pranuar postin e ministrit, është dashur ta dijë se eprori i tij është Albin Kurti, i pëlqeu kjo apo jo

Bajqinovci ka shkruar në Facebook se veprimet e Veliut në koalicionin qeverisës, kanë qenë gjithnjë në kundërshtim me hierarkinë qeverisëse.

“Vet pranimi i postit të ministrit nga Agim Veliu në muajin shkurt, ka nënkuptuar se ai do ta ketë shef Albin Kurtin, i pëlqeu apo nuk i pëlqeu. Veprimet e Veliut në koalicionin qeverisës, ishin gjithnjë në kundërshtim me hierarkinë qeverisëse. Nuk mund ta kesh shef Albin Kurtin, e të veprosh nën urdhrat e dikujt tjetër, që nuk i takon koalicionit qeverisës, madje Veliu ishte kundërshtari më i madh edhe i koalicionit VV-LDK”, ka shkruar Bajqinovci.

Ai ka shtuar se VV’ja dhe Kurti nuk i nënshtrohen askujt. Madje, ka deklaruar se nëse vendi shkon në zgjedhje, VV është më e gatshme dhe më superiore se në zgjedhjet e kaluara.

“Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti nuk i nënshtrohet e as nuk shantazhohet prej askujt. Ne nuk dëshirojmë ta shohim vendin prapë në zgjedhje në këtë kohë, por nëse ndodh kjo, jemi të gatshëm dhe më superior se në zgjedhjet e kaluara”, ka shkruar Bajqinovci.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mesditën e sotme e jka shkarkuar Agim Veliun nga pozita e Ministrit të Brendshëm./Express/

Ambasada amerikane: qeveria të heqë tarifat tani

Ambasada amerikane në Prishtinë i bëri thirrje të mërkurën qeverisë së Kosovës që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe.

Në një komunikatë të kësaj ambasade thuhet se “në kohëra si këto, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është thelbësor. Është koha për Kosovën dhe fqinjët të mënjanojnë pengesat për lëvizjen e lirë të mallrave. Sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës të hedhë hapin e parë të guximshëm dhe ti heqë tarifat tani”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte paralajmëruar që më 15 mars të filloje heqja e kushtëzuar e tarifave ndaj mallrave serbe. Por, tri ditë më parë ai shkroi në rrjetet sociale se “kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”.

Lidhja Demokratike nuk është pajtuar me qëndrimin kryeministrit për heqjen e kushtëzuar të tarifave ndaj mallrave serbe, duke kërkuar që ato të hiqen tërësisht sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Të vendosura në në nëntor të vitit 2018, tarifat çuan në pezullimin e bisedimeve Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Thirrja e ambasadës amerikane ndodhi në një periudhë kur Kosova dhe rajoni po përballen me pasojat e koronavirusit. zëri i amerikës

Kryeministri Kurti shkarkon ministrin e Brendshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se ka vendosur të shkarkojë ministrin e Brendshëm, Agim Veliu, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkak të mospajtimeve rreth shpalljes apo jo të gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën po e kërkon presidenti Hashim Thaçi, por pa pajtimin e kryeministrit.

Në një njoftim të zyrës së kryeministrit Kurti thuhet se mbrëmë ministri i Brendshëm, Agim Veliu, “për televizionin Klan Kosova, u deklarua kundër qëndrimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai, gjithashtu, në këtë deklarim, përhap panik duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”. As Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë. Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi Korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime”.

Në njoftim thuhet se “përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme”, ministri Veliu “ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është. Në këto rrethana jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra”, thuhet në njoftim.

Nuk pati një reagim të menjëhershëm nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari i së cilës një ditë më parë kishte kërkuar që të deklarohet gjendja e jashtëzakonshme për t’u përballur me pasojat e koronavirusit.

Nga e premtja e kaluar në Kosovë janë regjistruar 19 raste të infektimit me këtë virus.

Të martën mbrëma, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare se ka nënshkruar dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe këtë do ta dërgojë për miratim në parlament.

Por kryeministri Kurti e ka cilësuar si të skajshme dhe të panevojshme një gjë të tillë.

Të mërkurën presidenti Thaçi tha se zyra ligjore e tij dhe ajo e parlamentit janë duke u bashkërenduar “në mënyrë që të finalizohet procesi i dekretit të presidentit të Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha masave të domosdoshme institucionale për preventimin, parandalimin dhe tejkalimin e kësaj gjendjeje të cilën e kemi në Kosovë”.

Ai tha se dekreti i tij përfshin “gjendjen e jashtëzakonshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës për një periudhë 30 ditore me mundësi të vazhdimit apo zvogëlimit varësisht prej situatës së krijuar”.

Kërkesa e presidentit u mbështet nga kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Kadri Veseli i cili kritikoi qeverinë të mërkurën për masa të pamjaftueshme për t’u përballur me situatën.

“A ka dikush iluzione se kjo situatë me përhapjen e virusit nuk përshkallëzohet nëse nuk marrim masa ekstreme si shtet? Është në dorën e deputetëve të vendosin për ta kaluar dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por edhe nëse një jetë ja arrijmë ta shpëtojmë, ja vlen një vendim i tillë. Nuk është koha për protagonizëm politik prandaj PDK do të mbështesë idenë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në tërë vendin”, tha ai. zëri i amerikës

Aty ku ka shpresë e dashuri, ka edhe ardhmëri – Nga Florim Zeqa

Koha e vështirë nëpër të cilën po kalojmë nën ethet e “Coronavirusit”, plot ankth e pasiguri çfarë do t’na sjellë e nesërmja, shpresa dhe dëshira për jetë duhet të jenë më të fuqishme që çdo kërcënim nga virusët e padukshëm.

Një stil i ri i jetës në karantinë

Jo të gjithë qytetarët e kanë mundësinë e përballimit të njëjtë të rrezikut nga “Coronavirusi” shkaku i situatës ekonomike. Si rezultat i kësaj, secili e projekton dhe parashikon të ardhmën në mënyrën e vet, varësisht prej gjëndjes socio-ekonomike dhe nivelit intelektual.
Secili duhet të kërkojmë rrugë dhe mundësi për përballimin sa më të lehtë të këtij kërcënimi global dhe përmirësimin e jetës përmes ndryshimit epokal që do të vjen pas kësaj epidemie.
Ndryshimi fillon në stilin e ri të jetës, me kujdes të shtuar të masave higjienike, me kushte më të mira dhe siguri më të madhe në vendet e punës, ushqim cilësorë e shumçka tjetër që e transformon pasigurinë aktuale në siguri dhe motivim për jetë dhe mirëqënje të përgjithshme të shoqërisë njerëzore.
Në rrethanat në të cilat po kalojmë, të regjimit të “Karantinës”, gjegjësisht të mbylljes në shtëpi, kur është pamundësuar çdo formë e tubimeve dhe organizimeve shoqërore, janë institucionet e shtetit, ato që duhet t’iu dalin në ndihmë qytetarëve, e në veçanti komunave e fshatrave të izoluara dhe familjeve të prekura nga ky lloj virusi sa i padukshëm dhe enigmatik, po aq i rrezikshëm per jetën e njerëzve.

Jeta në karantinë, sprovë kolektive

Situata e krijuar nëpër disa komuna, fshatra dhe familje ku iu është ndaluar levizja dhe furnizimi i rregullt me gjësende të domosdoshme ushqimore, është shteti, përkatësisht janë institucionet shtetërore ato që duhet t’iu dalin në ndihmë qytetarëve në përmbushjen e kërkesave minimale për jetë dhe për t’iu dhënë shpresë në këto momente sa të vështira, po aq të paqarta dhe të pasigurta shëndetësore.
Edhe pse kjo situatë emergjente shëndetësore nuk është produkt i kësaj klase politike, liderët shtetërorë dhe partiakë duhet t’i kursejnë qytetarët me deklarata dhe prononcime rreth “Covid-19”, për shkak se vetëm mund t’ua rëndojnë situatën e jetës në karantinë.
Në këto rrethana vetëm ekspertët shëndetësorë dhe ata të sigurisë e kanë të drejtën e adresimit qytetarëve me masat preventive mbrojtëse, si dhe me njoftimin e saktë për atë çfarë është duke ndodhur rreth kësaj pandemie, e assesi politikanët naiv e të papërgjegjshëm, të cilët nuk e kuptojnë as termin “karantinë” e lërë më termat profesional që i dedikohen përhapjes së “sëmundjeve ngjitëse”, sia janë “Sars” e “Mers”, tani “Coronavirus”.

Më pak fjalë e më shumë punë

Institucionet e shtetit ndihmën më të madhe për qytetarët e izoluar mund ta bëjnë me furnizimin me mjete higjieno-sanitare (maska, dorëza, dezinfektues, etj.) si dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga ngritjet e çmimeve të artikujve defecitar ushqimor nga shitësit e papërgjegjshëm dhe matrapazët e ndryshëm, qofshin ata farmaceutik apo politik!?
Rritja e çmimeve në këtë periudhë pandemie globale për shkak të “Covid-19” është vepër penale e dënueshme me ligj.
Tregtarët e pandërgjegjshëm dhe matrapazët përveqse e lëndojnë imazhin e shumicës së bizneseve që me nderë po e kryejnë punën e tyre në këtë situatë të jashtëzakonshme, po e dëmtojnë jashtëzakonisht shumë xhepin e cekët të qytetarëve të trazuar nga kjo epidemi e mistershme.
Bie fjala, ngritja artificiale e çmimit të miellit, nga çmimi paraprak prej 35 në 80 Euro për 100 kilogram, duhet të trajtohet si vepër penale, me ndëshkim të rreptë dhe ndërprerje të veprimtarisë afariste për tregtarët e papërgjeshëm e shpirtëligë që mundohen të shfrytëzojnë nga kjo fatëkeqësi e paparë deri më tani në rruzullin tokësorë.

Eksagjerimi i situatës nga politikanët

Thirrjet e liderëve dhe zyrtarëve shtetërorë për kujdes, vigjilencë, solidaritet, durim, urti, besim, etj., pa e bërë as një hap konkret për t’ju ndihmuar qytetarëve të izoluar dhe frikësuar paraprakisht, janë thirrje për mashtrim dhe abuzim të mëtutjeshëm të shpirtërave të robëruar tani e 20 vjet në koloseumin e quajtur Kosovë.
Në këto rrethana të emergjencës, deklaratat e politikaneve duhet të zavëndësohen me udhëzimet e mjekëve specialist, psikologëve dhe ekspertëve të sigurisë të cilët informojnë drejt dhe reflektojnë shpresë tek qytetarët e izoluar.
Por e keqja e madhe është se vendimet e politikanëve deri më tani nuk janë përputhje me rekomandimet e mjekëve.
Kjo fatkeqësi bëhet akoma më madhe edhe për shkak të krijimit të panikut tek popullata, gjë e cila mund të shkaktoj edhe efekte tjera kolaterale akoma më të rrezikshme sesa virusi për shëndetin e njeriut.
Krahas respektimit të rregullave dhe këshillave në parandalimin e përhapjes së virusit misterioz, aq e domosdoshme është shpresa dhe optimizmi që duhet t’ia dhurojmë njëri-tjetrit, duke shprehur solidaritet dhe dashuri vëllazërore, humanitet e përkushtim njerëzor në kapërcimin sa më lehtë të kësaj situate alarmante.

Vetizolohet kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se është vetizoluar, pasi ditë më parë ka qenë në një ambient ku ndodhej edhe një person, që më pas ka rezultuar pozitiv në testet për koronavirus.

“Meqë javën e kaluar kam qenë në ambient të njëjtë, por pa kontakt me Muhamet Sejdiun, i cili rezultoi pozitiv, unë, nga mbrëmja, jam vetizoluar, duke iu nënshtruar testeve të protokollit shëndetësor”, ka thënë Haziri.

“Po ashtu u kam kërkuar të gjithëve që kanë qenë në ambient të njëjtë, t’iu nënshtrohen testeve dhe vetizolimit”, ka thënë Haziri, për të shtuar se detyrën e tij do ta ushtrojë nënkryetari i Komunës së Gjilanit.

Në Kosovë, deri tani janë konfirmuar 19 raste me koronavirus.

Kurti dhe Kosnetti diskutojnë për masat e Kosovës kundër koronavirusit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti të mërkurën në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett.

“Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin, Kosnett, për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtetin e Kosovës. Më tutje ai theksoi se për vendin, në këto momente, është jashtëzakonisht e rëndësishme t’i kushtohet tërësisht vëmendje aspektit shëndetësor të njerëzve dhe vitalitetit të ekonomisë”, thuhet në një njoftim të zyrës së kryeministrit.

Sipas njoftimit, Kurti dhe Kosnett kanë diskutuar për miratimin e buxhetit nga ana e Kuvendit të Kosovës si dhe për masat e ndërmarra dhe angazhimin e qeverisë në lidhje me koronavirusin e ri.

Institucionet e Kosovës kanë shpallur gjendje të emergjencës shëndetësore pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirusin e ri.

Deri tani janë 17 raste të infeksioneve të cilat janë konfirmuar nga Instituti i Shëndetësisë Publike.

Kosova kthen prapa një autobus me udhëtarë nga Italia

Institucionet e Kosovës kanë ndaluar një autobus me udhëtarë të cilët ishin nisur nga Italia për në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, duke thënë se nisja e autobusit ishte joligjor dhe pa autorizim të Ministrisë.

“Autobusi në fjalë është kthyer prapa në Kroaci. Rikujtoj se çdo transport i organizuar, tokësor e ajror është i ndaluar deri në një vendim tjetër. Kjo masë preventive është domosdoshmëri e mbrojtjes së qytetarëve tanë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai tha se për shtetasit e Kosovës, me viza në skadim, do të ketë trajtim bazuar në koordinimin që po ndodhë me institucioneve të Kosovës.

Italia është vendi më i goditur në Evropë nga koronavirusi i ri.

Sipas Universitetit John Hopkins, numri i vdekjeve atje është mbi 2 158.

Sipas këtye të dhënave deri më 17 mars, në gjithë botën janë konfirmuar 185 067 raste me koronaviusin e ri. Mbi 80 236 të infektuar janë shëruar, ndërkaq të vdekur, si pasojë e sëmundjes Covid-19, janë mbi 7 330 persona.

Mitrovicë: Policia e Kosovës parandalon një incident mes shqiptarëve dhe serbëve

Lumi Ibër në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka parandaluar një incident mes banorëve shqiptarë dhe serbë të Mitrovicës, pranë një punishte për ndërtimin e një ure të re, në lumin Ibër, që e ndanë Mitrovicën e Veriut dhe atë të Jugut.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëvëndësdrejtori rajonal i Policisë së Kosovës, Besim Hoti.

Ndërtimi filloi në një pjesë të lumit, që ndodhet rreth pesëqind metra nga ura kryesore në lumin Ibër.

Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk ka dhënë leje për vazhdimin e punimeve, pra për ndërtimin e urave në atë vend, ndërsa zbatuesit e projektit konsiderojnë se ata e kanë këtë të drejtë nga ministria kompetente dhe se komuna veriore po i ndalon në mënyrë të paligjshme që ata të punojnë.

“Ndërsa punimet vazhduan edhe sot, komuna në veri urdhëroi prishjen e pjesës, që sipas tyre ishte ndërtuar në mënyrë joligjore dhe për këtë arsye kishte ndodhur një grindje fizike. Ne u detyruam që bashkë me njësitë e policisë nga jugu, të ndërhyjmë për të mos lejuar shkaktimin e prishjes së qetësisë dhe rendit publik”, tha Hoti, duke theksuar se punimet ishin pezulluar deri në njoftimin e mëtejshëm të kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.

Policia konfirmoi se nuk ka pasur persona të lënduar gjatë incidentit.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, tha në një prononcim për mediat se “një grup huliganësh të Mitrovicës së Jugut sulmuan pjesëtarët serbë nga stacioni policor i Mitrovicës së Veriut, të cilët u ofruan ndihmë autoriteteve komunale në përputhje me ligjin, pas vendimit për heqjen e objektit të paligjshëm që bllokon lumin Ibër dhe realizon qëllimin e paralajmëruar të Agim Bahtirit për të marrë Mitrovicën e Veriut”.

“Dhuna ndaj oficerëve të policisë që kujdesen për paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve është absolutisht e papranueshme”, tha Rakiq duke shtuar se u bën thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe zyrtarëve të qeverisë së Prishtinës që urgjentisht të komunikojnë me komunën e Mitrovicës së Jugut që të ndalojnë “punimet e paligjshme mbi lumen Ibër dhe ngritjen e tensioneve”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të komunës së Mitrovicës së Veriut të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur, duke deklaruar se në përputhje me ligjin se ata do të ushtrojnë plotësisht kompetencat e tyre “pa marrë parasysh se kjo nuk i pëlqen dikujt nga përfaqësuesit e shqiptarëve nga Mitrovica e Jugut”.

Lumi Ibër e ndan Mitrovicën në Jug, të banuar kryesisht me shqiptarë nga Veriu, i banuar nga serbët.

Aeroporti “Adem Jashari” në Kosovë: Nga sot, nuk lejohet hyrja e pasagjerëve

Aeroporti Ndërkombëtar i Kosovës njoftoi sot se “në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës nga sot më nuk do të ketë hyrje të udhëtarëve përmes aeroportit “Adem Jashari”.

Megjithatë, aeroplanët lejohen të aterojnë pa udhëtarë (ferry) dhe ju mund të ktheheni në shtetet ku jetoni me kompanitë ajrore që kanë mundësi për të operuar në këtë mënyrë.

Nesër në nisje do të realizohen fluturimet si vijon:

Prishtinë – Zurich, 6 fluturime
Prishtinë – Stuttgart, 2 fluturime
Prishtinë – Munich, 1 fluturim
Prishtinë – Stamboll, 1 fluturim

Ju lusim qe te kontaktoni kompanitë ajrore për informacione shtesë. Për çdo pakënaqësi ju lusim të na shkruani në adresen tonë elektronike: [email protected]

Nis dezinfektimi i rrugëve B dhe C në Prishtinë

Ka nisur tashmë dezinfektimi i hapësirave dhe trotuareve në rrugën B dhe në atë C në Prishtinë.
Policia e Kosovës apel qytetarëve: Veturat largoni nga rrugët B dhe C, po kryhet dezinfektimi.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i largojnë veturat e tyre nga parkingjet në rrugët B dhe C, në Prishtinë.

Kjo thirrje e policisë ka ardhur pasiqë në orët e para të mëngjesit të sotëm u dezinfektua e gjithë rruga në këtë lokacion.

“Njoftoheni që me datë 17.03.2020, nga ora 08:00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në rrugën B dhe rrugën C.

Nëse ndonjë automjet gjendet në këtë parkng në kohën e lartëcekur do të largohet dhe shpenzimet do t’i bartë pronari i mjetit. Kjo është një masë sigurie lidhur me dezinfektimin që do të bëhet lidhur me masat pas paraqitjes së virusi corona”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Contour Global tërhiqet nga Kosova e Re

Kompania Contour Global ka thënë se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavatë.

Sipas një njoftimi të Contour Global, arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen.

Si arsye ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global.

“Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”, tha po ashtu Contour Global.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re është kundërshtuar në vazhdimësi nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e konsiderojnë si projekt të dëmshëm për mjedisin dhe thonë se do të çonte në rritje të çmimit të rrymës për qytetarët.

Termocentrali Kosova e Re ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por, me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike. rel

Më 15 mars Albini nuk e rrokullisi taksën! – Nga Florim Zeqa

 

Mungesa e dakordimit të partnerëve qeverisës për marrjen e vendimit për heqjën e taksës, përveqse i shpërfaqë dallimet e mëdha që kanë mes tyre LVV dhe LDK, e vënë në pikëpyetje të ardhmën e këtij koalicioni qeverisës.

Puna e parlamentit, përkatësisht shndërrimi i kuvendit në një arenë përplasjesh mes pushtetit dhe opozitës, me akuza dhe kundërakuza nga më të rëndat në mes deutetëve, të kujton kohën e kaluar, kur në Kuvendin e Kosovës punohej nën masa të jashtëzakonshme shkaku i hedhjes së vezëve dhe gazit lotësjellës, i cili përveq rrezikimit të shëndetit të deputetëve në sallë, e kishte rrezikuar edhe funksionimin e institucioneve tjera shtetërore.
Edhe pse deri tani, nuk kemi prezencë të gazit lotësjellës dhe vezëve në kuvend, bojkotimi i seancave nga ana e opozitës e ka vënë në pikëpyetje shpresat e qytetarëve dhe përspektivën e ndritshme të vendit.

Dallimi mes pozitës dhe opozitës është pushteti e jo interesi i qytetarëve

Politikanët pa dallim, pushtet dhe opozitë, për ti ruajtur bizneset dhe interesat e tyre personale, qëllimisht prodhojnë situata krizash artifiaciale, duke hapur tema të mëdha që nuk janë në domenin e tyre, për të anashkaluar kështu temat që ndikojnë drejtëpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqënjen e qytetarëve të vendit.
Siq po shihet, në vend që siguria, drejtësia, zhvillimi ekonomik dhe mirëqënja qytetare të ishin në plan të parë të kësaj qeverie, tema me të cilat dhe për të cilat edhe erdhi në pushtet koalicioni qeverisës LVV-LDK, gradualisht po zavëndësohen me temat e dialogut me Serbinë dhe çështjen e taksës e cila i hëngri “kokën” një kryeministri!

Taksa sherr i madh për vendin

Sherri i taksës po vazhdon tutje, dhe pikërisht mos koordinimi i partnerëve të koalicionit qeverisës rreth problemit të heqjes së taksës mund ta rrezikojë edhe “kokën” e kryeministrit Kurti dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme!
Edhe përkundër çasjes destruktive të opozitës në Kuvend, rreziku ‘Qeverisë Kurti’ nuk vjen nga opozita, por nga taksa dhe dialogu me Serbinë.
Sjellja destruktive dhe bojkotimi i seancave, vetëm sa do ta dëmtojë akoma më tepër imazhin e opozitës. Vetëm një opozitë e fuqishme dhe konstruktive në kuvend do të përmirësonte imazhin e parlamentarizmit dhe zhvillimit demokratik të vendit në këto rrethana të paqarta politike.
Vetëm një opozitë aktive në kuvend dhe konstruktive në veprimet e saj, do ta bënte akoma më të përgjegjshme pozitën dhe përmirësonte imazhin e saj të lënduar skajshmërisht nga qeverisja 12 vjeçare.

Pozitën dhe opozitën i ndanë vetëm pushteti, por jo edhe interesi i qytetarëve

Dallimet që ekzistojnë mes pozitës dhe opozitës nuk janë shumë përmbajtësore, për shkak se i ndanë vetëm pushteti e jo interesi i qytetarëve!
Megjithatë, ka edhe diçka që i bashkon pozitën dhe opozitën! Është mos uniteti dhe mos koordinimi i veprimeve.
Barometri më i mirë matës i kësaj që ceka më sipër është çështja e Taksës. Përderisa pozita nuk mund të koordinohet për heqjën e taksës, as opozita nuk është e bashkuar në mbrojtjën e saj!
Përfundimisht vjen edhe konkludimi logjik, se pa opozitë të fuqishme nuk do të kemi pozitë të fortë dhe të përgjegjshme dhe anasjelltas. Mos uniteti i pozitës në marrjen e vendimeve kruciale për vendin dhe mos dakordimi i opozitës në mbështetjen e vendimeve jetike për vendin siq është miratimi i buxhetit dhe marrja e vendimit për (mos) vazhdimin e dialogut me Serbinë, i lë duart e lira qeverisë në marrjen e vendimeve pa konsensus nacional.

Kërkimfalja e kryeministrit pas dështimit të parë

“Të nderuar qytetarë, sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 27 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme” (përfundon citati i kryeministrit).
Në traditën e popullit shqiptar është një princip i vjeter që “Burri fjalës së dhënë, jo kurrë nuk i bie pishman”!
Sikurse votimi i Rezolutës për vazhdimin e dialogut me Serbinë pa pjesëmarrjen e opozitës në Kuvend, që nuk është sinjal i mirë për vendin, ashtu edhe kërkimfalja e kryeministrit Albin Kurti për mos përmbushjen e deklarimit dhe qëndrimit personal për heqjën e pjesshme të taksës më 15 mars, duke fajësuar partnerin e koalicionit qeverisës, lenë pak për të shpresuar në jetëgjatësinë e kësaj qeverie!
Rënja edhe e kësaj qeverie shkaku i taksës do të ishte humbje e madhe dhe e dyfisht për vendin dhe e dhimbshme për Albin Kurtin.

Këshilla e infektologut Naser Ramadani: Dilni sot në natyrë, por mbani distancën!

Mjeku i njohur Naser Ramadani është pyetur edhe se a do të duhej qytetarët e Kosovës të dilnin në natyrë.

Ai ka rekomanduar të gjithë që të dalin sepse sot është koha e mirë, por duke qëndruar 2 metra larg njëri tjetrit.

“Po, ne kemi rekomanduar 2 metra distancë mes njëri tjetrit, ashtu siç jemi edhe ne tash. Por koha është e mirë dhe njerëzit mund të dalin në natyrë. Virusi nuk qëndron në ajër.” – ka deklaruar ai.

Ramadani ka lutur të gjithë qytetarët që t’i respektojnë masat e vetë-izolimit dhe të distancës sociale.

Ai po ashtu deklaroi se Kosova do ta kalonjë shpejt Koronavirusin nëse qytetarët do t’iu përmbahen masave.

Kosovë: Shkon në 13 numri i të infektuarve me koronavirus

Në Kosovë numri i të infektuarve me koronavirus arriti në trembëdhjetë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shkroi në mëngjesin e së hënës se “bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste të reja pozitive me COVID-19. Të katër rastet janë nga fshati Stubëll i komunës së Vitisë, familjarë të ngushtë të pacientit të diagnostikuar pozitiv me COVID-19, me datën 13 mars. E gjithë familja kanë qenë në vetizolim dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë testimin edhe të familjarëve të tjerë”, shkroi ai.

Rastet e para në Kosovë u konfirmuan të premten dhe të infektuarit janë nga Klina, Vitia, Malisheva dhe Podujeva.

Tri nga këto komuna tashmë janë në karantinë, ndërsa qeveria shpalli të dielën gjendjen e emergjencës së shëndetit publik.

Tashmë janë mbyllur të gjitha hyrje daljet në Kosovë, përveç për shtetasit e saj, ndërsa nga mesnata janë ndaluar të gjitha fluturimet përveç fluturimeve ushtarake, dhe emergjencave medicinale. zëri i amerikës

Kuvendi i Kosovës miratoi Buxhetin për vitin 2020

Prishtinë

Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Kuvendi i Kosovës, raportin me amendamente të komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere, për miratimin e këtij projektligji, e paraqiti kryetari i këtij komisioni, Hekuran Murati.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, kur u votua buxheti 2020, nuk morën pjesë deputetët e opozitës, për shkak se siç tha shefi i Grupit Parlamentar të partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, shumica parlamentare po e “trafikon projektligjin për buxhetin”, duke e votuar shumë shpejt në kohë të sfidave të vendit me koronavirusin COVID-19.

Fillimisht ligji u kalua me 63 vota për në shqyrtim të parë, ndërsa më pas iu dërgua komisioneve përkatëse për amandamentimin e ndryshimeve të projektligjit për të ardhur përsëri në kuvend për t’u votuar në shqyrtim të dytë.

Gjatë seancës e cila zgjati me diskutime edhe për situatën aktuale të krijuar në vend pas konfirmimit të rasteve me koronavirus, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, propozoi mocion që me procedura të përshpejtuara të shqyrtohet Projektbuxheti për vitin 2020.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që ta votojnë buxhetin. Ai tha se në situatën aktuale të krijuar me koronavirusin, ka gjasë që të mos mbahet më asnjë seancë javëve në vijim.

“Edhe ne nuk do të donim që gjithçka të bëhet brenda një dite, por nuk ka garancion që mund të mbajmë seanca në javët apo ditët në vijim, sepse nuk e dimë se çka do të ndodhë me virusin. As ne nuk jemi në rregull këtu me rregullat e përcaktuara. Nuk mund të kemi buxhet emergjent pa pasur buxhet të ri. Ju ftoj që ta kalojmë sot buxhetin, ta votojmë propozimin e Rexhep Selimit. Ky buxhet nuk është i ri, ashtu siç është qeveria e re. Janë mbi 300 milionë euro obligime”, tha Kurti.

Para deputetëve, Projektligjin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2020 e prezantoi ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, i cili tha se me rregullimet që janë bërë, projektligji është dukshëm më i avancuar se drafti që e ka bërë qeveria e kaluar.

Bislimi tha se buxheti i sivjemë parasheh shpenzime buxhetore prej 2 miliardë e 357 milionë euro, ndërsa parashihet një rritje ekonomike prej 4,2 për qind me terma realë.

Ai bëri të ditur se do të ketë nevojë për intensifikim të angazhimeve me mekanizmat kyç të financimit, siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore.

Kosova ka ngelur vonë në miratimin e projekt-buxhetit për këtë vit, ngase pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019, Qeveria e re e Kosovës u formua tek më 3 shkurt. Afati i fundit ligjor për Kuvendin e Kosovës për të miratuar projektligjin e propozuar për buxhetin është 31 marsi.

Pesë persona të infektuar me koronavirus në Kosovë

Janë konfirmuar edhe dy raste të reja me koronavirus në Kosovë.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, njëri rast është nga Stublla e Vitisë (kontakt i rastit të parë) i gjinisë mashkull 42 vjeçar, dhe një rast 37 vjeçare, shtetase kosovare me qëndrim në Itali-Brescia, e cila ka ardhur në Kosovë dhe vend qëndrimi i saj në Kosovë është fshati Bubavec, Komuna e Malishevës.

“Krahas tri rasteve pozitive të deritashme, sot pasdite me 14/03/2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me RT PCR janë konfirmuar edhe dy raste të reja pozitive për virusin SARS-CoV-2: Një rast nga Stublla e Vitisë (kontakt i rastit të parë) i gjinisë mashkull 42 vjeç, dhe një rast 37 vjeç e gjinisë femërore, shtetase kosovare me qëndrim në Itali-Brescia, e cila ka ardhur në Kosovë me datë 01/03/2020 nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari“. Vend qëndrimi i saj në Kosovë është fshati Bubavec, Komuna e Malishevës”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë datës 14 mars 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK-së për gjashtëdhjetë e shtatë raste të dyshimta në COVID-19.

Nga data 08.02.2020 deri me 14.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 207 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe gjithsej pesë (5) prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Nga data 01.02.2020 deri me 14.03.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 7.326 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 479 udhëtarë, Merdare 3.328, Vërmicë 2.488, Jarinje 564, Dheu i Bardhë 109, Hani i Elezit 77, Kullë 224, Qafë Morinë 35, Bërnjak 11, Qafë Prush 8, Muçibabë 2 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.

Kosova mes propagandës dhe realitetit! – Nga Florim Zeqa

 

Pas publikimit të shkrimit pararendës “Si të mbrohet Republika e Kosovës”, i menjëhershëm ishte reagimi i një lexuesi anonim, po citoj; “Kosova prej Coronavirusit do të shpëtojë, por prej politikanëve asnjëherë”!

Edhe pse çdo ditë luteshim që “Corona” të mos zbresë në Kosovë, megjithatë virusi famëkeq “Covid-19” nuk e kurseu edhe vendin më të varfër në Evropë. Tani e tutje, vendi ynë Kosova do të ballafaqohet me dy pobleme sa akute, po aq shqetësuese; me “Coronavirusin” dhe klasën e korruptuar politike.

Shoqëria kosovare, si njëra ndër shoqëritë më të politizuara në mbarë globin, përveq problemeve që ua shkaktoi politika, tani e tutje do të përballen edhe me problemin global të “Coronavirusit”.

Kosova e ndarë në dysh rreth takses dhe reciprocitetit, pas përhapjes së virusit vdekjeprurës, do të jetë e këcënuar dhe rrezikuar seriozisht edhe nga planet ndarëse.

Krahas shpejtësisë së përhapjes së “Coronavirusit”, qytetarët e vendit tonë, çdo ditë e më shumë po bombardohen me “Fake News” apo lajme të pavërteta, saqë e kanë të vështirë ta dallojnë propagandën dhe realitetin.

Pa dyshim, se njëri nga lajmet më shqetësuese, është ai i largimit të trupave amerikane nga Kosova!

Kërkesa e SHBA-ve për largimin e menjëhershëm të taksës ndaj produkteve serbe, po tingëllon keq në veshin e qytetarëve të Kosovës, “sikur Amerika ka ardhur në Kosovë për ta mbrojtur Serbinë e jo qytetarët e Kosovës”!

Me ose pa vetëdije, disa qytetarë, por edhe politikanë me namë po besojnë se Amerika do ta tërheq ushtrinë e saj nga Kosova shkaku i tarifës!
Është tepër e dhimbshme sesi disa politikanë me përvojë të gjatë politikë, nga frika apo nga dëshira po lansojnë lajme krejtësisht të pavërteta për mundësinë e tërheqjes së Amerikës nga Kosova!
Me ose pa vetëdije, disa politikanë po harrojnë se investimi i gjatë amerikan në Kosovë i tejkalon përmasat e shtetit tonë. Amerikanët nuk kanë ardhur në Kosovë as për çështje humanitare dhe as për çështje tarifore, por kanë ardhur për interesat e tyre afatëgjatë në Ballkan, për të ndërprerë njëherë e mirë ndikimin e Rusisë dhe aleatëve të saj në këtë pjesë të Evropës.

Kosova shumë shpejtë do të shpëtojë nga “Coronavirusi”, por do t’i duhet kohë që ta largojë “koronavirusët” e politikës që i kanë mbytur për së gjalli qytetarët, duke ua shuar çdo shpresë për jetë në këtë vend, saqë më, nga izolimi i gjatë nuk i kanë frikën Karantinës dhe as “Coronavirusit” vdekje prurës.

Edhe pse tanimë “Coronavirusi” është bërë Pandemi globale, do të largohet ngadalë më masa efikase parandaluese dhe shëruese, por virusi kancerogjen i politikës kosovare do të marrë më shumë kohë për t’u larguar për shkak të shtrirjes së gjërë e të thellë në çdo pore të jetës në Kosovë.

Prapa propagandës false të kinse tërheqjes së trupave ameriakne nga Kosova, fshihet plani puçist i opozitës për rrëzimin e ‘Qeverisë Kurti’, e cila është rasti i fundit i vetëdijesimit dhe kthimit të shpresave të humbura për një të nesërme të mirë në Kosovë.

Krahas thyerjeve të mëdha shpirtërore, virusëve vizivë dhe të padukshëm, qytetarët e Kosovës i mbanë shpresa e kësaj pranvere për kthim të jetës normale, pa frikë dhe ankth, me plotë optimizëm dhe dashuri për njëri-tjetrin.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj!

Në orën 14:00 dalin rezultatet për 90 persona, përfshirë figura publike

Në orën 14:00, pritet të dalin rezultatet për 90 mostrat e pacientëve të dyshuar se janë të prekur me koronavirus. Shumica e tyre dyshohet se kanë pasur kontakt me dy personat që janë të infektuar me koronavirus, raporton Express.

Express merr vesh se në mesin e këtyre personave, ka edhe figura publike.

Edhe Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se do të mbajë konferencë për media në orën 12:00, ku do të njoftojë për më te rejat rreth koronavirusit.

Ndryshe, dje rreth orës 17 e 30 janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të jashtëzakonshme.

Sipas ministrit Arben Vitia, bëhet fjalë për një vajzë të moshës 20-vjeçare, shtetase e Italisë, dhe një burrë të moshës 77-vjeçare nga Komuna e Vitisë.

Në konferencën ku u konfirmuan këto dy raste, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin, të qëndrojnë mbi 1 metër larg kur takohen dhe që t’i pastrojnë duart me ujë të ngrohtë mbi 30 sekonda.

‘Parandalimi është gjithcka. Le ta ruajmë veten dhe njëri-tjetrin që dy rastet e konfirmuara të mos shtohen. Të bëjmë kujdes maksimal që të mos iu bashkangjitemi vendeve të tjera që po raportojnë për mortalitet”, ka thënë Kurti në konferencë. /Gazeta Express

Izolohet fshati Stubëll

Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti ka bërë të ditur për Radio Evropa e Lirë se pas konfirmimit se personi i infektuar me koronavirusin e ri është nga fshati Stubëll, komuna e Vitisë kanë marrë masa që i gjithë fshati të futet në izolim.

“Personi dyshohet të ketë pasur kontakte me persona të shumtë dhe për këtë arsye kemi bërë izolimin e tërë fshatit. Po ashtu ne karantinë janë edhe stafi mjekësor në qendrën kryesore të mjekësisë familjare në Viti”, thotë Haliti.

Ai u bëri thirrje autoriteteve qendrore që t’i pajisin ata me masa mbrojtëse.

Më herët, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një konference të jashtëzakonshme për media, tha se pacientët e konfirmuar me COVID 19 janë një shtetase italiane e moshës 20 vjeçare dhe një burrë 77 vjeçar, shtetas i Kosovës.

Ai tha se gjendja e të infektuarve është stabile.

“Në këtë moment që po flasim, është mbledhur edhe Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës me Koronavirus Covid-19 për të diskutuar dhe rekomanduar masat përkatëse konform situatës së re të parapara edhe me Planin e Veprimit”, tha ministri Vitia.

Të gjitha vendet e rajonit, përveç Malit të Zi, tashmë kanë raportuar raste me sëmundjen e koronavirusit të ri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se më shumë se 132.500 njerëz janë diagnostikuar me Covid-19 në 123 vende të botës. rel

Hyn në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për mbylljen e kufijve tokësorë

Pikëkalimi kufitar në Merdare. Fotografi nga arkivi.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se sot nga ora 6:00, bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, ka mbyllur kufijtë tokësorë, për udhëtarët që hyjnë në vend, përjashtuar shtetasit kosovarë.

Këto masa vijnë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, pas raportimeve për dy raste pozitive në Kosovë.

Sipas vendimit të Qeverisë, shtetasit e Kosovës do të mund të hyjnë në vend, por ata do t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore dhe do të vetizolohen për 14 ditë.
Qeveria e Kosovës më 13 mars, po ashtu mori vendim që të mbyllë kafiteritë, baret, restoranet dhe qendrat tregtare me përjashtim të dyqaneve ushqimore dhe farmacive.

Po ashtu është pezulluar transporti ndërurban dhe ndërkombëtar. rel

Ish-diplomati amerikan: Thaçi e Vuçiçi e kanë gati marrëveshjen me shkëmbim territoresh

Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, i cili ka qenë shef i misionit vëzhgues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, në një analizë të gjatë ka folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, presionit amerikan që po bëhet në drejtim të qeverisë së Kosovës dhe për një marrëveshje të fshehtë që sipas tij kanë përgatitur Thaçi dhe Vuçiq.

Byrnes thotë se draft marrëveshja për t’i dhënë fund konfliktit Kosovë-Serbi është duke pritur vetëm nënshkrimin.

“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë Vuçiq kanë përgatitur një draft marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund konflikti, që ka përcaktuar raportet në mes të shqiptarëve për një shekull. Ajo( marrëveshja) është e gatshme për nënshkrim” ka thënë ish-diplomati amerikan, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë nënshkrimin e saj sipas tij po e pengon qëndrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të mos e hequr taksën plotësisht, dhe mosmarrëveshja kushtetuese se kush është përgjegjës për dialogun me Serbinë.

“Draft marrëveshje siç është raportuar përfshinë edhe shkëmbim të territoreve”, ka vazhduar Byrnes.

Sipas tij në këtë draft përfshihen shkëmbim i territoreve (disa pjesë të Kosovës në veri të lumit Ibër dhe disa pjesë të Luginës së Preshevës në jug të Serbisë, asociacion të komunave serbe për të cilin duhet pajtim, eksterritorialitet për manastiret serbe, njohje de jure nga Serbia dhe një angazhim të Serbisë për të mos penguar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Byrnes ngre shqetësimet se një marrëveshje e tillë do të jetë e keqe që me shumë gjasë do të nxisë nacionalistët radikal në Ballkan. Ndërkohë thotë se krijimi i një asociacioni të komunave serbe me autonomi të veçantë mjafton për të de funksionalizuar Kosovën pa ndonjë “ përbërës shtesë”, transmeton Gazeta Express.

Tutje ish-diplomati amerikan ka treguar se në Ëashington Vuçiq nuk është pajtuar që të kthehet në dialog pa e hequr Albin Kurti plotësisht tarifën, pavarësisht presionit të Këshilltarit të Trump për Siguri Kombëtare, Rober O’Brien, emisarit Richard Grenell dhe dhëndrit të Trump, Jared Kushner.

Edhe premtimet e Kushner për ndihma të mëdha dhe investime të huaja, siç thotë Byrnes nuk ia kanë ndryshuar mendjen Aleksander Vucicit për t’u kthyer në dialog pa e hequr Kosova plotësisht taksën.

Këtë Byrnes e lidh edhe me dëshirën e Vuçiqit që dialogu të mos rifillojë para zgjedhjeve parlamentare serbe që mbahen më 26 prill.

“Qëllimi i tij publik është që Partia e tij Progresist të fitojë më fuqishëm se herën e fundit, dhe ai nuk dëshiron që t’iu jap kundërshtareve të tij ndonjë justifikim për ta akuzuar për shitje të Kosovës”, potencon Byrnes.

Ish-diplomati ka folur edhe për presionin amerikan për të arritur një marrëveshje dhe mënyrën se si një gjë të tillë po tenton ta shfrytëzojë Thaçi.

Sipas Byrnes, Thaçi e sheh marrëveshjen si një shtesë të trashëgimisë së tij politike. Ish-diplomati që ka shërbyer në Kosovë thotë se Thaçi për ta ruajtur veten dëshiron ta rrëzojë Kurtin nga Qeveria, për të krijuar më pas një koalicion LDK-PDk.

“Ai dëshiron ta rrëzojë Kurtin për të mbrojtur veten dhe miqtë e tij të korruptuar nga përpjekja për të çrrënjosur korrupsionin e përhapur. Qëllimi i Thaçit është që të krijojë një qeveri të re të koalicionit të përberë nga LDK, partneri aktual i Kurtit në koalicion, dhe nga PDK, partia që themeloi Thaçi”, ka shtuar Byrnes.

Byrnes thotë se Thaçi po e shfrytëzon shumë mirë presionin amerikan edhe për të grumbulluar rreth vetes opozitën dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për të hequr tarifën menjëherë.

Ish-diplomati thotë se kërcënimi i Thaçit se Kurti po është një kërcënim për të ardhmen e raporteve me SHBA’në është një akuzë e ‘papërgjegjshme’, transmeton Express.

Ai thotë se lideri i LDK’së, Isa Mustafa, është në përkrahje të Thaçit, derisa shton se Kuvendi nuk është duke e mbështetur presidentin, gjë që ka vendosur situatën në ngërç.

Në fund Byrnes thotë se drejtuesit e Kosovës duhet të kuptojnë që asnjë marrëveshje gjithpërfshirëse nuk do t’i jap fund armiqësisë me Serbinë, derisa Serbia të pranojë atë se çfarë ka bërë në Kosovë gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviqit.

“Raportet e tyre nuk do të mund të jenë as normale e as miqësore”, ka shtuar Byrnes.

Byrnes jep edhe një porosi për liderët e Kosovës. Sipas tij SHBA do të mbetet një mik i vendosur i Kosovës dhe një gjë e tillë nuk do të ndryshojë pavarë3sisht kërcënimeve të Trump, O’Brien, Grenell, Pompeo e Kushner.

“Kosova nuk duhet të detyrohet të pranojë një marrëveshje me një Serbi armiqësore”, ka përfunduar Byrnes./GazetaExpress/

Thaçi dhe Kurti pajtohen t’i vazhdojnë takimet

Foto arkiv, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Albin Kurti

Thaçi dhe Kurti nisin takimet me një mori temash

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti kanë zhvilluar takimin e parë të punës, që kur Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur qeverinë e re, më 3 shkurt të këtij viti. Të dy liderët e institucioneve të Kosovës thanë se janë marrë vesh që t’i vazhdojnë takimet në kuadër të harmonizimit të qëndrimeve dhe pozicionit të Kosovës në politikën e jashtme, me theks të veçantë në dialogun me Serbinë.

Thaçi tha se pret që qeveria do të merr vendime të shpejta dhe të qarta për t’i hapur rrugë angazhimt të përbashkët në dialogun Kosovë – Serbi.

“Unë pres në ditët e ardhshme t’i drejtohem Kuvendit të Kosovës dhe do të prezantoj opinionet dhe qëndrimin tim. Takimi në Uashington ka qenë një takim që i hap perspektivë arritjes së një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe qeveria do të ë merr vendime të shpejta dhe të qarta dhe të hap rrugë në angazhim të përbashkët të gjithë spektrit politik. Në tavolinë do të jemi të bashkuar si Kosovë me një qëndrim”, tha Thaçi.

Ndërkohë, kryeministri Kurti tha se me presidentin Thaçi kanë diskutuar shumë tema, por përveç dakordimit që t’i vazhdojnë bisedimet, ende nuk ka ndonjë harmonizim qëndrimesh për ndonjë çështje të caktuar.

Komuniteti ndërkombëtar është duke bërë presion mbi Kosovën që të vazhdojë dialogun me Serbinë.

Por, paraprakisht nga Prishtina zyrtare është kërkuar që të shfuqizojë tarifën doganore ndaj mallrave serbe, të cilën e kishte vendosur Qeveria e kaluar e Kosovës, në nëntor të vitit 2018, dhe e cila po shihet si pengesë për vazhdimin e bisedimeve paqësore.

Presidenti Thaçi ka kërkuar që qeveria urgjentisht të heqë taksën, por kryeministri Kurti ka paraqitur një plan të heqjes graduale të saj.

Kosova konfirmon dy raste me koronavirus

Leonat Shehu

Koronavirusi ka prekur edhe Kosovën. Kjo u bë e ditur në një konferencë të jashtëzakonshme nga ministri i Shendetësisë, Arben Vitia, sipas të cilit të dy të prekurit janë “një 20 vjeçare shtetase italiane dhe tjetri shtetas i Kosovës i moshës 77 vjeçare”.

Ministri Vitia tha se të prekurit janë në Klinikën Infektive të Kosovës dhe se gjendja e tyre është e mirë. Ai tha se Instituti i Shëndetit Publik tashmë ka filluar “gjurmimin e të gjitha kontakteve të dy pacientëve dhe janë marrë të gjitha masat e izolimit dhe vetkarantimit të personave më të cilët kanë qenë në kontakt të konfirmuarit pozitiv në Covid-19”.

Ai tha se Komiteti për bashkërendimin dhe vlerësimin e situatës me koronavirus po mban mbeldheje për të nxjerrë masat përkatëse pas paraqitjes së situatës së re.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se bëri thirrje për kujdes dhe shmangjen e hapësirave publike.

“I ftoj qytetarët për qetësi, që të mos bëjnë panik dhe të mos paraqiten në Klinikën Infektive nëse nuk kanë shenja të sëmundjes. Ministria e Shëndetësisë e ka vënë në dispozicion linjën telefonike për informim e këshillim në të cilën mund të thërrasin të gjithë ata tek të cilët mund të shfaqen simptoma të dyshimta për sëmundje akute të frymëmarrjes dhe historik të udhëtimit në zonë ose territor që raporton sëmundjen me COVID-19 gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave. Ftohen të gjithë qytetarët që pa panikë, por me kujdes të shtuar t’iu përmbahen udhëzimeve dhe masave parandaluese të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, si dhe të gjitha masave të shpallura nga qeveria e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës pritet të mbaj një mbledhje të jashtëzakonshme pas paraqitjes së dy rasteve të para të prekurve me koronavirus.

Kosova tashmë ka marrë masa të ndryshme për të parandaluar përhapjen e Koronavirusit. Qeveria ka ndërprerë procesin mësimor në të gjitha nivelit si dhe shtimin e masave tjera për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Kurti konfirmon se do ta takojë sot Thaçin, nuk do t’i shtrëngojnë duart

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se sot në orën 15:00 do të takohet me presidentin Hashim Thaçi, vetëm se nuk do t’i shtrëngojë duart me të.

Kurti e ka lajmëruar publikisht presidentin Thaçi se nuk ia jep dorën në takimin që e konfirmoi se do të ndodhë sot, transmeton Gazeta Express.

“Sot do të ketë takim. Unë kam deklaruar se të premten pasdite do të mund të takohemi dhe do të takohemi në orën 15:00 por pa shtrëngim duarsh”, ka thënë Kurti.

Takimin e ka konfirmuar Zyra e Presidentit përmes një njoftimi për media.

“Sot, në orën 15:00, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Kryeministri ditë më parë ka njoftuar se nuk do të përshëndetet me shtrëngim duarsh, si masë parandaluese për shkak të rrezikut të shpërndarjes së koronavirusit. /Express/

Osmani: Ta heqim tarifën dhe presidentin njëkohësisht

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në Kuvendin e Kosovës ka mbajtur një fjalim ku ka propozuar dy parime për dialogun me Serbinë.

“Unë propozoj se dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet mbi dy parime. E para; Të mbrohen interesat e vendit. E dyta; Të mbrohen miqësitë me shtetet shpëtimtare. E para s’mundet pa të dytën e as e dyta pa të parën”, është shprehur Osmani.

Tutje, ajo ka thënë se masa e reciprocitetit e vendosur nga Qeveria e Kosovës është e votuar nga Qeveria e përbërë nga të dyja partitë e koalicionit.

“Masa e reciprocitetit është votuar nga qeveria e përbërë nga të dyja partitë”, ka thënë Osmani.

E për Shtetet e Bashkuara të Kosovës ajo e bëri të qartë pozicionin e Kosovës karshi SHBA’së.

“Kosova kurrë nuk ka pasur sukses pa i pasur SHBA’në në krah”, thotë Osmani.

“Shteti ynë nuk mundet pa aleatet e Kosovës. Apeli im është për të gjithë, që të ulemi dhe ta gjejmë gjuhën e përbashkët që i mbron këto dy parime, edhe interesin e vendit edhe miqësitë me këto shtete”.

Ndërsa për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, Osmani thotë se duhet të hiqet së bashku me tarifën.

“Tarifa duhet të hiqet bashkë me presidentin uzurpues të dialogut Kosovë–Serbi”, ka thënë Osmani në Kuvend.

“Presidenti duhet të ishte simbol i unitetit, e ai e quan kryeministrin e Kosovës manipulues, përpëlitës, mashtrues etj.”, shtoi Osmani.

Borrelli i dërgon letër Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se ka marrë një letër nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Siç njofton Zyra për Komunikim e Kurtit, Borrell në letrën e tij është shprehur i kënaqur me kryeministrin, që, siç ka thënë, “marrëdhënien me BE-në e ka vënë si punë të tijën kryesore”.

“Ngjashëm, unë e mirëpres synimin tuaj për vazhdimin e reformave të domosdoshme që ta shtyni përpara sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen e mirë në Kosovë. Këto janë elemente kyçe për të ardhmen tuaj”, ka thënë Borrell.

Ai ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, ndërsa ka thënë se Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare “besojnë fuqishëm se rifillimi i bisedimeve është i domosdoshëm dhe urgjent” dhe se “do të kërkojë heqjen e plotë të tarifave”.

“Unë e mirëprita njoftimin tuaj javën e kaluar për tarifat, që paraqet hap të parë të mirë në drejtim të duhur. Neve na duhet heqja e plotë e tarifave. Në këtë kontekst unë pajtohem plotësisht me ju se marrëveshjet e kaluara dhe obligimet e mbetura duhet të zbatohen plotësisht. Serbia, sikur Kosova, duhet t’i përmbushë zotimet për zbatimin e atyre marrëveshjeve”, ka thënë mes tjerash Borrell.

Kosova u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina qysh në nëntor të vitit 2018.

Ditë më parë, Kurti ka shpalosur planin e tij për heqjen graduale të kësaj takse.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar heqjen e plotë të saj.

Ka pasur edhe paralajmërime për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova, për shkak të mungesës së një vendimi nga Qeveria e Kosovës për heqjen e plotë të taksës.

Taksa ka bërë që edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi të ndërpritet qysh në fund të vitit 2018.

Serbia e ka kushtëzuar rikthimin në dialog me heqjen e taksës. Kosova kërkon që Serbia të ndalë fushatën për çnjohjet e pavarësisë së saj. rel


Send this to a friend