Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett thotë se është “i kënaqur” që Kuvendi i Kosovës do të mbajë të mërkurën seancë për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.
Ambasadori Konsett thotë se është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të repsketojnë Kushtetutën e vendit.
“I kënaqur të shoh kuvendin që ka vendosur të mbajë seancë nesër lidhur me mocionin e mosbesimit. Siç i thash edhe sot kryeministrit (v.j. Albin Kurti), është e rëndësishme që kuvendi dhe të gjitha institucionet e Kosovës të respektojnë Kushtetutën”, ka shkruar Kosnett në llogarinë e tij në Twitter.
Këtë postim të ambasadorit Kosnett e ka mbështetur edhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.
Por Gjermania dhe Franca më herët gjatë ditës kërkuan nga Lidhja Demokratike e Kosovës të rishqyrtojë vendimin për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë dhe të ndihmojë ekzekutivin e vendit të përballet me kriza.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christin Heldt ka njoftuar se së bashku me zyrtarët francezë, i kanë nisur një notë proteste zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, që të kërkojë nga lideri i partisë së tij, të qëndrojë në qeveri.
“Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës i kanë nisur kërkesë të përbashkët zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti që të njoftojë kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa mbi shqetësimet e dy shteteve tona, që të qëndrojë në krah me popullin e Kosovës në këtë krizë. E ftojmë LDK-në të rishqyrtojë vendimin për mocionin e mosbesimit dhe të mbajë qeveri të besueshme dhe të qëndrueshme për t’u përballur me sfidat”, shkruan ambasadori Heldt në një postim në Twitter.
Pas reagimit të ambasadorëve, edhe ministritë e Jashtme të Gjermanisë dhe Francës lëshuan një deklaratë të përbashkët, ku shprehin shqetësimet e tyre lidhur me situatën politike në Kosovë, në kohën kur, siç thuhet “është i nevojshëm uniteti politik për t’u përballur me krizën e COVID-19”.
“Kosovës i duhet një qeveri stabile dhe funksionale që të përballet me këtë krizë. Prandaj, ne ju bëjmë thirrje që votimi për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë të rishqyrtohet ose të shtyhet”.
Në deklaratën e përbashkët, Gjermania dhe Franca po ashtu kanë shprehur pritjet e tyre që taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, të hiqet plotësisht më 1 prill, pasi Qeveria e Kosovës më 20 mars e hoqi atë vetëm për lëndën e parë. Berlini dhe Parisi zyrtar thonë se kanë mirëpritur këtë vendim të qeverisë, si përpjekje për të rifilluar dialogun me Serbinë.
“Kur të jenë krijuar kushtet për rinisjen e dialogut dhe të jetë tejkaluar kriza me COVID-19, presidenti (i Francës, Emmanuel) Macron dhe kancelarja (gjermane, Angela) Merkel) planifikojnë të mbajnë një samit në Paris me pjesëmarrjen e të gjitha palëve dhe Përfaqësuesit të lartë (të BE-së, Josep) Borrell”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrive të Jashtme të Gjermanisë dhe Francës.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës është mbledhur të martën ku është shqyrtuar kërkesa e LDK-së dhe deputetëve opozitarë për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se seanca është caktuar të mbahet të mërkurën.
Ajo u bëri thirrje deputetëve që të mos e përkrahin mocionin në këto rrethana, kur COVID-19 po paraqet kërcënim për jetën e qytetarëve.
“Absolutisht nuk e përkrahi këtë mocion dhe natyrisht i bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta përkrahin këtë mocion sepse as nuk është në kohën e duhur, por mbi të gjitha nuk do t’i prodhojë Kosovës një qeveri tjetër që ka legjitimitet ose që mund të merret me sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova”, tha Osmani.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se ishin veprimet e kryeministrit Kurti, ato që bën partinë e tij të inicionte procedurën për rrëzimin e qeverisë, në kohën kur vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit.
Mustafa ka tërhequr vërejtjen ndaj anëtarëve të LDK-së që kanë dalë kundër vendimeve të partisë.
“Nuk është e natyrshme që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së. Kjo sjellje duhet të marrë fund”, është shprehur Mustafa.
Para se të kumtohej vendimi i kryesisë së kuvendit, vendet e Quint-it dhe Bashkimi Evropian u bën thirrje partive dhe liderëve të Kosovës që t’i lënë anash mosmarrëveshjet dhe të bëhen bashkë për të luftuar kërcënimin aktual në mbarë botën, COVID-19.
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një deklaratë të përbashkët kërkuan që “në momentin e vështirë si ky, u bëjmë thirrje të gjithë liderëve institucionalë dhe politikë që të përqendrohen në COVID-19 duke respektuar dispozitat kushtetuese dhe autoritetin që u është besuar atyre përmes Kushtetutës”.
“Në këtë moment kritik, i nxisim ata të ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe t’i japin përparësi luftës kundër COVID-19 në Kosovë e jo politikës, duke ju kujtuar se vendet tona kanë marrë të gjitha masat të jashtëzakonshme në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave të vendeve të Quint-it.
Edhe Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të gjitha institucionet të punojnë së bashku në harmoni me Kushtetutën.
“BE-ja qëndron bashkë me Kosovën në luftën kundër COVID-19. Në këtë kohë të vështirë dhe sfiduese, populli i Kosovës ka nevojë për udhëzime të qarta dhe siguri se do të ndërmerren të gjitha masat e mundshme për t’i zbutur efektet e pandemisë. I bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve të institucioneve që të punojnë së bashku, (në respektim të plotë të Kushtetutës së Kosovës) dhe ta drejtojnë tërë energjinë dhe mundin e tyre drejt luftimit të pandemisë dhe ofrimit të sigurisë për popullin e Kosovës. Nuk është koha për antagonizma politikë ose institucionalë, por për unitet politik”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Kosovë, mendojnë se deputetët nuk duhet që të votojnë pro mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Ata thonë se deputetët, çështjes së mocionit duhet t’i japin një mundësi 90-ditore, deri të kalohet gjendja me pandeminë e koronavirusit.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këto rrethana, nuk do të duhej që të ketë mocion për rrëzimin e qeverisë.
“Ne presim që deputetët të tregojnë një emancipim qytetar dhe politik dhe të mos votojnë këtë mocion, por duke i dhënë atij një afat, një periudhë 90-ditore, të paktën pas kalimit të kësaj gjendjeje dhe në rrethana më të përshtatshme ata mund të marrin një vendim, që do t’i japë një epilog gjendjes bazuar në vullnetin e shumicës së deputetëve të Kosovës”, tha Kryeziu.
OJQ-të: Mocioni rrezikon ta fusë vendin në krizë
Përfaqësuesit e 12 organizatave joqeveritare në Kosovë, krerëve të shteti u kanë dërguar një letër të hapur.
Ata thonë se Kosova ndodhet në fazë tejet të ndjeshme në luftën kundër shpërndarjes së mëtutjeshme të virusit COVID-19.
“Në këto momente kritike, ne organizatat joqeveritare nga shoqëria civile vlerësojmë që ndërmarrja e iniciativave nga subjektet politike parlamentare për shkarkimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie të re është jo në kohën e duhur. Votimi i mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, ndonëse është e drejtë kushtetuese e partive politike parlamentare, rrezikon të fusë vendin në krizë politike e institucionale dhe të nxisë pakënaqësi qytetare, që tani vendit i duhen më së paku”.
Këto organizata nga shoqëria civile vlerësojnë se aktualisht shëndeti publik dhe qetësia qytetare duhet të jenë imperativ për tërë spektrin politik.
“Kërkojmë nga ju që deri në mbajtjen eventuale të seancës, të bëhen të gjitha përpjekjet e nevojshme për arritjen e një marrëveshje politike për tejkalimin e situatës së tanishme”, thuhet pos tjerash në letrën e tyre.
Qeveria e Kosovës ka pësuar luhatje, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë lindur ndërmjet dy partive partnere të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përplasjet mes tyre kulmuan me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për shkarkimin e Agim Veliut nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo e fundit, inicioi më pas mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, duke i siguruar nënshkrimet nga deputetët e opozitës.
Kriza qeveritare, për shkak të mospajtimeve ndërmjet dy partive të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike, po vjen në kohën kur e gjithë bota, përfshirë edhe Kosova, po ballafaqohet me luftën kundër koronavirusit të ri. Gjendja është treguar alarmante, andaj edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur gjendje pandemie.