Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se në takimin e 2 shtatorit në Uashington, Kosova duhet të shkojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-kryeministri i Kosovës, Haradinaj, thotë se duhet të shfrytëzohet vëmendja që po ia jep SHBA-ja zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Haradinaj gjithashtu tregon për pretendimet e tij për t’u bërë president i vendit si dhe flet për mundësinë e zgjerimit të koalicionit aktual qeverisës.
Sipas tij, me ardhjen e PDK-së në qeverisje, ndërpritet varësia nga Lista Serbe.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, është paralajmëruar një takim mes jush dhe partnerëve të koalicionit qeverisës, që mund të ndodhë ndoshta në ditët në vazhdim. Për çfarë do të bisedoni?
Ramush Haradinaj: Kam qenë insistues që të kërkohet kthimi i Uashingtonit në temë në çështjen e dialogut. Ne e kemi parë një ndihmesë në të kaluarën nga BE-ja dhe e kemi mirëpritur këtë ndihmesë të BE-së, por edhe të vendeve veç e veç, si të Gjermanisë, Francës, kancelares (gjermane, Angela) Merkel dhe presidentit (francez, Emmanuel) Macron.
“BE-ja na i zbehu shpresat”
Mirëpo, po ashtu ne e kuptuam që BE-ja e delegoi çështjen e dialogut në nivel të BE-së, në këtë rast te zoti (përfaqësuesi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep) Borrell dhe zoti (i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav) Lajçak.
Të dy janë jonjohës, vijnë nga vende jonjohëse (të pavarësisë së Kosovës). Me këtë, BE-ja në një mënyrë na e zbehu shpresën për suksesin e pritur, pra për nevojën e një rezultati final në procesin e stërzgjatur të dialogut. Duke parë këtë gjendje, ne e kemi kuptuar drejt se shpresa tash na ka mbetur vetëm në Uashington. Ne çdoherë kemi pasur besim në Uashington, por kemi shpresuar që edhe BE-ja do të investojë më shumë në këtë proces, duke u kyçur direkt kryeqytetet kryesore si Berlini, me ndonjë zyrtar të lartë të tij ose edhe Franca dhe të tjerët.
Duke qenë se nuk ndodhi ashtu, pra unë kam kërkuar nga kryeministri (Avdullah Hoti), që të bëjë hapa prapa në këtë agjendën e deleguar të dialogut te zoti Borrell dhe zoti Lajçak dhe të kërkojë Uashingtonin. Pra, ishte një lajm jashtëzakonisht i mirëpritur nga unë rikthimi i Uashingtonit, takimi i 2 shtatorit. Mirëpo, ne e kemi një shqetësim për përgatitjet që duhet t’i bëjmë. Pra temat, identifikimin e temave, identifikimin e materies për të cilën mund të themi po, por pastaj edhe formati i takimeve.
Nuk është rastësi që AAK-ja dëshiron të garantohet se është e sigurt – po e quaj ashtu – për çdo sekuencë të bisedave sepse duam të dimë a e kemi nxjerrë më të mirën për Kosovën.
Pse duhet çdo herë t’i besojmë dikujt tjetër nëse mundemi edhe vetë të ndihmojmë. Ishte rasti i takimit me (presidentin e Serbisë, Aleksandar) Vuçiq. Jam habitur nga vendimi – edhe pse ai është në diskrecion të kryeministrit – i kryeministrit, që të lë jashtë takimit, ministrin e Drejtësisë, Selim Selimin, i cili ka dhënë betimin në parlament si ministër, i cili në të kaluarën ka qenë i ngarkuar në dialog – pra, ka vetëdije, ka memorie institucionale –dhe e ka marrë një person që sapo ka filluar punë, shefen e stafit të vetë. Pra, do të jenë disa arsye që duhet t’i trajtojmë me kujdes.
“Në Uashington po shkojmë për njohje reciproke”
Nëse shtrohet pyetja: ‘Po për çka po shkojmë në Uashington?’ Po shkojmë për marrëveshje, për njohje reciproke në kufi ekzistues. Nëse rrethanat e sjellin këtë marrëveshje, po shkojmë për këtë marrëveshje, por nëse ka përparim, marrim edhe përparimin cilido qoftë ai.
Radio Evropa e Lirë: Ju nuk keni shpresë në Bashkimin Evropian, se një marrëveshje përfundimtare mund të arrihet pa prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Ramush Haradinaj: BE-ja çdoherë ka qenë e ngadalshme dhe kjo nuk është diçka e re. Edhe ne kemi një shpërputhje, tani e tutje në aspektin kohor. Ja t’ju jap një shembull; BE-ja, kur unë kam qenë kryetar qeverie më ka kërkuar ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin Kosovë-Mali i Zi, të cilin e kemi bërë me premtimin publik të zyrtarëve të BE-së se do t’ua japim liberalizimin e vizave. Ja, shkuan tri vjet.
Pra, një qasje e tillë, shumë e ngadalshme e BE-së është tepër joadekuate për dinamikat, për zhvillimet në Kosovë, në Serbi e rajonin tonë, sidomos duke pasur parasysh faktin e agjendave të vendeve të tjera. Ne i shohim vendet e tjera, si Rusinë, Kinën, dinamikën e tyre të interesimit për rajonin. Nuk mendoj se Evropa ka treguar dëshirë që të zgjidhë së shpejti, pra të arrijë së shpejti deri te një marrëveshje Kosovë-Serbi edhe me faktin se e ka deleguar temën te zoti Borrell dhe ia ka dhënë në ndihmë zotin Lajçak.
Sipas meje kjo nuk dëshmon një dëshirë që ta kryejnë këtë punë në një afat kohor optimal.
Këtu është dallimi. Unë besoj që zoti (Robert) O’Brien në këtë rast, i ka autorizimet e duhura, sepse është këshilltari për siguri i presidentit (të SHBA-së), e ka përkrahjen edhe të personit të ngarkuar nga presidenti, në këtë rast të ambasadorit (Richard) Grenell.
E ka përkrahjen e Departamentit të Shtetit, e ka përkrahjen e të administratës amerikane. E ka edhe besimin e palëve, në këtë rast Kosovës dhe Serbisë dhe respektin.
Pra, është një mundësi reale dhe ne nuk duhet të shkojmë me pesimizëm. Ne duhet të kërkojmë që në këtë takim, pra të arrihet marrëveshja për njohje reciproke në kufi ekzistues. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, mund të ketë pastaj tema për shqyrtim sepse shtetet edhe pas një marrëveshjeje për njohje reciproke e deri në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por edhe pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, diskutojnë, negociojnë protokolle, e marrëveshje.
Ne ende diskutojmë e negociojmë protokolle e marrëveshje edhe me Republikën e Shqipërisë. Ju e shihni, sa herë që takohemi arrijmë marrëveshje të reja, protokolle të reja e kjo është diçka që vazhdon.
Pra, arritja e një marrëveshjeje për njohje reciproke Kosovë-Serbi, sikur të ndodhte tash më 2 shtator, kjo nuk do të thotë se do t’i zgjidhë krejt listën e temave mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, mund t’i zgjidhë ato që janë të gatshme.
Radio Evropa e Lirë: Pra, mendoni se tani mund të arrihet një marrëveshje?
Ramush Haradinaj: Ne duhet ta synojmë këtë dhe ta kërkojmë dhe nuk bën të fshihemi. Kosova nuk ka pse të hezitojë që të thotë se ‘po vijmë në këtë takim për marrëveshjen finale për njohjen reciproke në kufijtë ekzistues’ sepse kjo është tema. Nëse pala serbe ende nuk është gati, e ka një kërkesë për një qasje ndryshe në dialog, edhe ata mund ta thonë se për çfarë janë.
Mirëpo, Kosova mendoj se duhet të jetë e qartë që të tregojë në mënyrë të sinqertë se çfarë kërkon: ‘Se vijmë në Uashington për marrëveshjen finale’.
E për t’u arritur kjo marrëveshje, me siguri ka edhe tema që ndoshta disa prej tyre janë të gatshme, disa edhe mund të trajtohen në të ardhmen. Por, ju them edhe një herë, njohja reciproke nuk bëhet pas përmbylljes së krejt çështjeve, t’i quaj ashtu, të marrëdhënieve bilaterale, sepse këto marrëdhënie bilaterale vazhdojnë në përjetësi dhe në përjetësi do të ketë tema e tema, e shqyrtim të temave, protokolle e marrëveshje të ndërsjella.
“Në kohën e presidentit Trump mund të na njohë Serbia”
Radio Evropa e Lirë: Disa analistë thonë se presidentit amerikan, Donald Trump i duhet edhe një fitore në politikën e jashtme në prag të zgjedhjeve. Prisni marrëveshje substanciale, të shpejtë?
Ramush Haradinaj: Po, këtu e shoh edhe shpresën. Shikoni, nëse presidenti i Amerikës dhe administrata e tij, në kohë zgjedhjesh kanë kohë për ne, kjo është një fitore e madhe. Duhet ta kuptojmë se çfarë do të thotë kjo.
Pra, ne kemi arritur që të hyjmë në agjendë të kandidatit për president, që është edhe president aktual (Donald Trump), dhe duhet ta kuptojmë se me të vërtetë kjo është një mundësi e dhënë dhe ne duhet të synojmë që ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Në rrethana të tjera, ne do të presim edhe kushedi edhe sa vjet. Është një moment ideal, që pse jo t’i japim një fitore të gjithë atyre që e arrijnë.
Ne, në kohën e administratës (së presidentit Bill) Clinton jemi çliruar, në kohën e administratës (së presidentit George W.) Bush jemi njohur, në kohën e presidentit Trump edhe mund të na njohë Serbia.
Pra, pse mos të mbyllet ky cikël në këtë mënyrë kaq të mirë, e unë shpresoj shumë që po.
Pra, nuk e përjashtoj mundësinë e një marrëveshjeje finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë në këtë takim. Nuk është e paarritshme, e pamundur. Edhe Serbia edhe Kosova duhet t’i japin epilog një marrëdhënieje të ndërsjellë. Ekziston edhe kjo mundësia, ta quaj, e para-marrëveshjeve, një aspekt ekonomik, një aspekt tjetër që po flitet.
Ndoshta edhe kjo është një e arritur, mirëpo pse mos të kërkojmë marrëveshjen finale? Çka duhet të ndodhë më në botë ose në Ballkan, që ta kuptojmë edhe ne edhe Serbia që nuk mund të ecim përpara. Ta kuptojë Serbia që nuk mund të ecë përpara pa marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën, pa njohje reciproke.
“Uashingtoni nuk ka zgjidhje të këqija për Kosovën”
Nuk mendoj se ne duhet ta kushtëzojmë takimin e Uashingtonit me format. Do të ishte një qasje jo e mirë për ne dhe ne në një mënyrë do ta çlironim Serbinë sepse Serbia pret ndonjë gabim tonin para këtij takimi.
Edhe kjo frika se në Uashington po përgatitet një zgjidhje e keqe, kurrë në Uashington nuk përgatitet zgjidhje e keqe për Kosovën. Ne mund të bëjmë propozime të këqija dhe mund të bimë dakord në ide të këqija, por Uashingtoni nuk ka as ide as propozime të këqija për Kosovën. Ne po, ne mund t’i bëjmë ato gabime. Duhet të bëjmë kujdes ne vetë, por jo të frikësohemi nga Uashingtoni.
Radio Evropa e Lirë: Cilat do të jenë kërkesat tuaja konkrete për kryeministrin Hoti?
Ramush Haradinaj: Unë kam biseduar me kryeministrin në vazhdimësi. Më ka pëlqyer çështja e formësimit të parimeve, e ruajtjes së integritetit, pra moscenimit të integritetit territorial, e kufijve, të karakterit unitar të Kosovës që nënkupton jo një pushtet të tretë edhe të kushtetutshmërisë.
Pra, këto janë parime të qëndrueshme mbi bazën e këtyre besoj se do të shkojë përpara.
Arritja e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, duke mos cenuar integritetin territorial dhe kufijtë, duke mos cenuar karakterin unitar që nënkupton edhe ruajtjen e kushtetutshmërisë, në këtë rast se Kushtetuta jonë na bën shtet unitar.
Pra, i japim përkrahje të fuqishme kryeministrit, delegacionit të Kosovës, që në këtë rast duhet të jetë i kompletuar, nuk duhet të bëhen eksperimente në këto raste, të merren njerëz që sapo kanë marrë përgjegjësi. Kryeministri është i ri në këtë temë dhe ta marrë shefen e stafit që është e re, me respekt për njohjet e shumta që mund t’i ketë.
Nuk bëhet eksperimente në këto raste. Serbia është shtet që ka memorien e vetë institucionale, ekspertizën dhe mekanizmat e vetë.
Ne duhet t’i shfrytëzojmë më së miri kapacitetet tona që i kemi, ndihmën e aleatëve, ekspertët e miqve tanë.
Gjatë kohës së qeverisjes sime e kemi pasur një grup të ekspertëve edhe ndihmesë prej aleatëve tanë, por edhe njerëz të vendit, në këtë rast (ministri aktual i Drejtësisë, Selim) Selimi – se mund të mendohet se kam ndonjë qëllim të caktuar se pse insistoj që ai duhet të jetë aty. Ai nuk është vetëm i AAK-së, është i Kosovës, është memoria e tri vjetëve të fundit në dialog.
“Partitë politike të bisedojnë për postin e presidentit”
Radio Evropa e Lirë: Këshilli Drejtues i partisë suaj ua ka dhënë besimin, që eventualisht të zhvilloni bisedimet për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Çka do të thotë kjo?
Ramush Haradinaj: Tani ne e shohim se situata në Kosovë edhe mund të vështirësohet, pra në aspektin e politikës pas propozimit të aktakuzave për presidentin (e Kosovës, Hashim) Thaçi, për kryetarin (e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri) Veseli, pra mund të vijmë para një krize institucionale nëse akuzohet presidenti.
Gjetja e një zgjidhjeje për këtë do të nënkuptonte pastaj një negocim disapalësh, në këtë rast të neve që jemi partnerë të koalicionit, me të cilët kemi një marrëveshje, për shembull me LDK-në, me Nismën e AKR-në, e komunitete për të qeverisur.
“Me ardhjen e PDK-së në qeverisje, ndërpritet varësia nga Lista Serbe”
Mirëpo, tash do të kërkohet hapja e kësaj marrëveshje edhe për çështjen e presidentit. Në rastin konkret, do të kërkohet edhe një partner i ri. Ky partner i ri me shumë gjasa mund të jetë PDK-ja, edhe që e mirëpresim gjetjen e një marrëveshjeje të përbashkët.
Mirëpo, këtu ndodh një ndryshim. E vërteta është se me ardhjen e PDK-së në qeverisje, ndërpritet ajo varshmëria ose varësia e kësaj qeverie edhe nga Lista Serbe, mirëpo edhe ne humbim një rol vendimtar që kishim, ta quaj ashtu, në dëgjimin e zërit tonë për vendimet për interesin nacional.
“LDK-së nuk i takon edhe kryeministri edhe presidenti”
Po edhe me LDK-në, në raste të caktuara me kryeministrin Hoti, i kemi disa situata të çuditshme kur ai ka marrë disa vendime pa konsulta paraprake. Pra, kjo na shqetëson.
Pastaj, e dëgjojmë nënkryetarin e parë ose të dytin të LDK-së zotin (Lutfi) Haziri kur flet hapur e publikisht se duhet ta japim Leposaviqin e 18 fshatra. Duke qenë kështu, për ne nuk është më interes t’i japim legjitimitet një qeverie dhe institucioneve të vendit vetëm pse kemi pak pushtet dhe nuk kemi vendimmarrje, e ne pastaj të bëhemi pjesëmarrës të vendimeve të këtyre forcave politike – me respekt për shumicën prej tyre – por, që kanë dhënë prova paqëndrueshmërie në tema të interesit nacional.
Do të ishte një barrë që nuk mund ta mbajë në shpinë apo në ndërdije. Kemi edhe përvoja të këqija edhe me demarkacionin me Malin e Zi, me çështjen e Asociacionit të komunave, ku u gjet jokushtetues nga gjykata jonë.
Pozita e presidentit apo zgjedhjet?
Aleanca është para dy zgjidhjeve, të dyja shumë të vështira. E para është që të vazhdojë të jetë pjesë e pushtetit dhe e vendimmarrjes, por ta kushtëzojë me marrjen e një pozicioni vendimmarrës të presidentit edhe ajo është logjika pse Këshilli Drejtues i AAK-së më ka dhënë autorizim të negociojë edhe për çështjen e presidentit, me qëllim që ne të mos përjashtohemi nga tavolina e marrjes së vendimeve.
Pra, ne nuk rrisim pushtet me marrjen e presidentit, por ne vetëm ruajmë mundësinë e të qenurit në tavolinë aty ku merren vendimet.
Në rast se ne nuk e marrim presidentin tani, meqenëse jemi parti më e vogël, PDK-ja dhe LDK-ja, në emër të një shumice në parlament, mund të na mbivotojë në çdo situatë e në tema të interesit nacional. Në këtë rast, tani situata është ndjeshme jo me LDK-në, sepse LDK-ja nuk mund t’i ketë dy përgjegjësitë e para edhe kryetarin e qeverisë dhe presidentin. Edhe LDK, në fakt nuk ka shprehur ambicie.
Ish- kryeministri (Isa) Mustafa nuk ka shprehur ambicie për postin e presidentit. Ai nuk është i interesuar të hapë paketën, pra që ta shkarkojë këtë qeveri, të nominojë një mandatar, të pres ato dy javët e famshme që t’i dërgojë letra Vetëvendosjes, që të bie në procedura të caktura.
E që i bie se ne, unë jam në pozitë me të vështirë me PDK-në, sepse presidenti dikur ishte në PDK. Mirëpo, unë mendoj edhe për PDK-në, shpresoj se do ta kem mirëkuptimin edhe nga ata, sepse në këto situata të ndjeshme, nëse Aleanca duhet të jetë partner, duhet t’i jepet mundësia të ketë vendimmarrje. Përndryshe, vetëm sa për ta mbajtur në jetë një qeveri për pak pushtet, për Aleancën ne e dimë rrugën që të shkojmë në shtëpi, se e kemi ditur edhe në të kaluarën, ja do të shkojmë në zgjedhje.
Radio Evropa e Lirë: Tash nuk e keni fuqinë për vendimmarrje, jeni pjesë e koalicionit?
Ramush Haradinaj: Derisa jemi kështu, prapë qeveria varet, vota shumica e kësaj qeveri varet nga ne dhe për atë ende kemi mundësi të marrjes së vendimeve. Kur kemi LDK-në, PDK-në në qeveri dhe presidenti ta zëmë është nga njëra nga këto parti nga PDK-ja, kryeministri nga LDK-ja, kanë votat shumicë. Atëherë, ne do të jemi vërtetë të panevojshëm për çfarëdo vote në qeveri apo në parlament që nuk i kërkon dy të tretat, por që preket interesi nacional. Dhe bazuar kështu, ne edhe po të votonim si opozita do të jetë vonë pas kësaj, ndërsa përvojat nuk i kemi aq të mira, pra kemi plot raste kur vërtet jemi ndodhur në pozita të këqija me partnerët (e koalicionit qeverisës), jo me opozitën. Ka pasur raste kur opozita ka pasur qëndrime parimore, por problem kemi pasur brenda partneritetit.
“PDK është formula a shkojmë në zgjedhje ose jo”
Radio Evropa e Lirë: Si mendohet përfshirja e Partisë Demokratike të Kosovës në koalicion, në zgjerimin e kësaj qeverie?
Ramush Haradinaj: Është e lidhur me shkuarjen në zgjedhje apo jo. PDK është formula a shkojmë në zgjedhje ose jo. Nëse, nuk dëshirojmë të shkojmë në zgjedhje, atëherë duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët me PDK-në ose me Vetëvendosjen. Por, siç shihet në koalicionin e sotëm, pra LDK-AAK-Nisma e të tjerë, disponimi është me PDK-në më shumë se me LVV-në, të paktën ashtu shihet.
Mirëpo, unë e mirëpres këtë koalicion. Por, po ashtu nuk e ndjej Aleancën të gatshme, vetëm që të jetë përkrahëse e një koalicioni, pushteti të nesërm, në të cilin Aleanca nuk ka vendim. Pra, Aleancës i zbehet vendimmarrja në një shumicë LDK-PDK, e veçanërisht frikën e kemi te temat e interesit nacional, sikurse ka qenë përmirësimi i kufijve ose të ngjashme. Sepse ekziston rreziku i marrëveshjeve të të dy partnerëve të mëdhenj, që e bëjnë të panevojshme dhe të parëndësishme qëndrimin e partnerit më të vogël, në këtë rast Aleancës.
Radio Evropa e Lirë: Nëse PDK nuk pranon që të hyjë në këtë koalicion qeverisës, çfarë do të ndodhë?
Ramush Haradinaj: Nëse (nuk hyn PDK-ja në qeveri), në këtë rast shkuarja në zgjedhje është alternativa. Pra zgjedhjet janë, vetëm nëse LVV-ja ofron ndonjë formulë apo opsion edhe ata nëse nuk janë për të shkuar në zgjedhje, mund të propozojnë ndonjë formulë të caktuar.
“Buxheti i pashpenzuar të rialokohet te qytetarët”
Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni punën e koalicionit qeverisës deri më tani?
Ramush Haradinaj: Ka vëmendje, ka fokusim në tema të përditshme qeverisëse. Është edhe ajo që e kanë pritur realisht, një qeveri të normalitetit që do punojë intensivisht, të kthejë normalitetin në vend. Është në një situatë të sfiduar. E shoh që kritikohen disa vendime të qeverisë, si rasti i 10 përqindëshit të Trustit ose ndonjë vendim tjetër. Është në një presion të madh.
Kjo qeveri e ka për obligim çdo herë, unë them se për çdo tre muaj duhet të bëhet një analizë e gjendjes buxhetore dhe të gjitha fondet e lira, ose buxhetin e lirë që nuk është shpenzuar, nuk është investuar, të rialokohen te qytetarët, te njerëzit për shkak se është një gjendje shumë e rëndë ekonomike.
Tashmë, së fundmi po dëgjojmë pasojat e sektorit të ndërtimit. Sektori i ndërtimit ndërlidh shumë, jashtëzakonisht shumë njerëz në Kosovë, shumë familje. Jo vetëm ata që punojnë, por edhe kompanitë e vogla që punojnë për ta.
Edhe situata me pandeminë është tragjike. Mirëpo, ka një mobilizim të madh vendor, edhe të ministrisë, qeverisë, të institucioneve të rendit, ligjit dhe të sigurisë, është një dinamikë serioze në punë. Rrethanat çfarë janë – sepse unë nuk them se gjendja është e përkryer –e di se është një situatë sfiduese, por rrethanat që janë e shohim një qeveri vërtet, po e quajë ashtu, qeveri të përgjegjshme, një qeveri që është e fokusuar, një qeveri që angazhohet, një qeveri që me kapacitetin e vetë, vërtet sinqerisht angazhohet që të përballet me gjendjen.
Radio Evropa e Lirë: Kjo qeveri është e qëndrueshme, mund të vazhdojë gjatë?
Ramush Haradinaj: Qeveria dhe qeverisja është e qëndrueshme në Kosovë. Ne po flasim për shpërputhje të temave të interesit nacional, të cilat në rast se marrin drejtime të gabuara, secili nga ne e ka edhe detyrë kushtetuese që t’i ndalë.. Pra, është si mbrojtja e atdheut ose si rastet tjera kur nuk guxojmë të gabojmë.
“Kosova do të ndihmojë në arritjen e paqes”
Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti dhe kryetari i Komunës se Deçanit, Bashkim Ramosaj janë pajtuar që të pezullojnë punimet në rrugën Deçan-Plavë, e cila në një pjesë të saj prekë zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit. Cili është mendimi juaj për këtë?
Ramush Haradinaj: Rruga është një projekt i nevojshëm për komunitetin, për popullsinë e Deçanit po se po, por lidh edhe një rajon që vërtet është i izoluar, pra rasti i Plavës, në anën tjetër i asaj malësie. Rruga ka për qëllim të afrojë njerëzit, kulturat, besimet dhe ne besojmë që do të gjendet një zgjidhje e duhur që kjo rrugë të kthehet në jetë dhe t’i ofrojë, po them edhe një herë, njerëzit, kulturat, besimet dhe t’i zbusë paragjykimet e paarsyeshme që ekzistojnë.
Besoj se do të gjendet një zgjidhje për rrugën. Pra, nuk shoh asnjë arsye që një çështje shumë të thjeshtë, shumë rutinë të jetës, ta krijojmë si tema artificialisht të madhe politike, dhe këto situata që zakonisht po krijohen para zhvillimeve të mëdha politike.
Pra, sa herë që të afrohemi te shpresa për një marrëveshje paqësore politike Kosovë-Serbi, njohja reciproke që është me rëndësi, gjithmonë gjenden disa mekanizma, që gjejnë tema të tilla dhe lartësojnë këto tema për të bërë pengesë për paqe. Unë besoj se ata që e duan paqen, në këtë rast Kosova dhe Serbia, kanë interes që zënë më në thua në këto tema sepse populli i Kosovës dhe i Serbisë kanë nevojë për paqe të ndërsjellë. Dhe Kosova nuk do të gabojë në hapat e vetë dhe do ndihmojë edhe në arritjen e paqes.
Nëse shkoni atje ku është krishterizëm, në Perëndim, shkoni në sheshin e Vjenës, është një katedrale e vjetër e rrethuar me asfalt dhe dyqane. Nëse shkoni në Romë i shihini gjithë ato (katedrale e kisha), mijëra e mijëra vjet të vjetra, kanë asfalt përreth, qarkullojnë njerëz, qarkullon jeta, ka auto-rrugë. Nëse shkoni në Strasburg, Paris, Londër, Uashington kudo që udhëtoni.
Nuk ruhet krishterizmi dhe vlerat kristiane duke izoluar veten, duke penguar jetën e komunitetit lokal. Në të kundërtën, bashkësitë fetare ndihmojnë komunitetin lokal, shprehin respekt, japin përkrahje, krijojnë lidhje njerëzore e emocionale, që janë të nevojshme.