Sandra Cvetkoviq
Bojan Markoviq nga komuna e Ranillugut, komunë kjo me shumicë serbe, pretendon se e ka humbur vendin e punës, vetëm sepse refuzoi të votonte për Adrijana Hodxhiqin, përfaqësuese e një prej subjekteve politike boshnjake nga Mitrovica, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.
Markoviq thotë se kryetari i komunës së Ranillugut, Vlladica Aritonoviq nga Lista Serbe, i kërkoi që të votonte për Hoxhiqin.
Markoviq, i cili është baba i dy fëmijëve të mitur, punonte për kompaninë e sigurimit fizik “Scorpion” me seli në Ferizaj, e cila është në pronësi të një shqiptari. Vendi i punës së Markoviqit ishte në ndërtesën e komunës së Ranillugut. Komuna është 60 kilometra nga Prishtina.
“Ai më thirri mua (kryetari i Ranillugut, Vlladica Aritonoviq) dhe më dha një fletëvotim. E rrumbullakoj opsionin për mua dhe numrin në të djathtë, dhe më tha: ‘Këtë kërkesë do të ma respektosh. Voto për Adrijana Hoxhiqin dhe i pres katër vota nga ti’. Pra, që unë, prindërit e mi dhe gruaja ime ta mbështesnim këtë opsion”, thotë Markoviq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
Fletëvotimi, të cilin Bojan Markoviq pretendon se e mori nga kryetari i Komunës së Ranillugut, Vlladica Aritonoviq.
Fletëvotimi, të cilin Bojan Markoviq pretendon se e mori nga kryetari i Komunës së Ranillugut, Vlladica Aritonoviq.
“Ata më thirrën më 16 shkurt (dy ditë pas zgjedhjeve) për një bisedë me kryetarin. Unë shkova dhe ai më tha: ‘Ku janë votat?’. Unë i thash se nuk mund ta votoja atë, as prindërit e mi nuk donin të votonin (për Iniciativën Qytetare Komuniteti i Bashkuar- Adrijana Hoxhiq)”, shtoi ai.
Më 21 shkurt, shtatë ditë pas zgjedhjeve, Markoviq u shkarkua nga kompania e tij e punës. Dokumenti që iu dorëzua atij me atë rast dhe të cilin e ka parë edhe Radio Evropa e Lirë, thotë se punësimi i tij është ndërprerë për shkak të “zvogëlimit të numrit të punëtorëve, sipas urdhërave të komunës së Ranillugut”.
Aktvendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të Bojan Markoviqit.
Aktvendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të Bojan Markoviqit.
Markoviq shton se kryetari i Komunës së Ranillugut dhe zyrtarët e tjerë shpërndanë fletëvotime me një opsion të vetëm politik, për të cilin u thoshin qytetarëve që të votojnë.
Markoviq nuk është ankuar për vendimin e punëdhënësit dhe nuk është i gatshëm që ta raportojë rastin në polici. Sidoqoftë, ai vendosi të flasë për këtë publikisht për Radion Evropa e Lirë, sepse, siç thotë, ajo që i ndodhi atij është “turp”.
Pse Adrijana Hoxhiq?
Adrijana Hoxhiq garoi në zgjedhje me Iniciativën Qytetare Komuniti i Bashkuar-Adrijana Hoxhiq. Subjekti i saj fitoi 6.422 vota apo një ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Sidoqoftë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke vepruar në bazë të ankesës së partive të tjera boshnjake, ia anuloi subjektit të Hoxhiqit 4.205 fletëvotime pas shpalljes së rezultateve përfundimtare. Vendimi u mor me arsyetimin se numri i votave për partitë boshnjake u rrit me 49 për qind, që krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2019 nënkupton se “si asnjëherë më parë, mijëra votues të komunitetit serb në Kosovë votuan për përfaqësuesit boshnjakë”.
Hoxhiq e apeloi vendimin e PZAP-it në Gjykatën Supreme, e cila pritet të vendosë për këtë çështje deri më 12 mars.
Instituti i Kosovës për Drejtësi, që i përfaqësoi kundërshtarët politikë të Hoxhiqit në PZAP, tha se janë manipuluar rreth 10.000 vota, të cilat janë orkestruar nga Lista Serbe.
E gjithë kjo, me qëllim të kontrollit të deputetëve joserbë nga radhët e komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës. Hoxhiq i ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme këto pretendime.
Në Ranillug, ajo mori 255 vota ose 9.6 për qind të votave të përgjithshme në këtë komunë. E sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2011, në Ranillug jeton vetëm një boshnjak.
Kompania ‘Scorpion’: Kërkesa erdhi nga komuna
Xhevat Emërllahu, pronar i kompanisë ‘Scorpion’, ka vetëm lëvdata për Bojan Markoviqin. Pavarësisht nga kjo, siç tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, kërkesa për zvogëlimin e numrit të punëtorëve erdhi nga komuna.
“Në momentin që Kuvendi Komunal kërkon që ne të bëjmë zvogëlimin e punëtorëve, përmes zyrës së prokurimit, ne jemi të detyruar që ta bëjmë zvogëlimin automatikisht, sepse nuk paguan ai zotëria. Nëse për shembull i kemi pesë persona dhe ai thotë ‘ke për ta larguar një person’, ne jemi të obliguar për ta zvogëluar numrin, sepse nuk paguan faturën”, u shpreh Emërllahu.
Por, Emërllahu nuk dha sqarim lidhur me atë se pse pikërisht Bojan Markoviq u pushua nga puna dhe nëse kërkesa për largimin e tij nga puna ishte bërë më sugjerim të komunës.
“Tash ma keni bërë një pyetje shumë të rëndë”, tha ai.
Emërllahu thotë se Bojani ishte një punëtor i jashtëzakonshëm, por se “Kuvendi Komunal punon në bazë të politikave që ka, të partisë, apo çfarëdo qoftë tjetër”.
“E përsëris që ai ishte një punëtor shumë i mirë, i dëgjueshëm, me sjellje të mirë dhe na respektonte”, tha Emërllahu.
Çfarë thotë kryetari i komunës së Ranillugut?
Kryetari i Ranillugut, Vlladica Aritonoviq, mohon të gjitha akuzat lidhur me Bojan Markoviqin dhe shton se ai nuk u ka bërë “presion njerëzve për të votuar për ndonjë opsion politik”.
“Unë po ju them edhe një herë, për sa i përket komunës, askush nuk u largua nga puna”, i tha Aritonoviq Radios Evropa e Lirë.
Ai shtoi se është i njoftuar për rastin që një punëtor i sigurimit u pushua nga puna, por gjithashtu pretendon se komuna nuk ka asnjë lidhje me këtë.
“Ata janë aty për të siguruar objektet në territorin e Komunës së Ranillugut dhe nëse punëdhënësi i tij e pushoi nga puna, kjo nuk ka asnjë lidhje me komunën. Ai nuk është punëtor i komunës, por punonjës i një kompanie të sigurimit fizik”, thotë Aritonoviq.
“Punëdhënësi i lidh kontratat vetë dhe po ashtu vetë edhe i përfundon. Sa kam dijeni, kontratat kanë skaduar. Tani vetëm nëse atij kontrata nuk i është vazhduar dhe nuk e ka marrë ende vendimin për përfundimin e kësaj kontrate”, shton Aritonoviq.
Hoxhiq: Kjo është çështje për Policinë
Udhëheqësja e Iniciativës Qytetare “Komuniteti i Bashkuar, Adrijana Hoxhiq”, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë thotë “se ky është rast për policinë”.
“Shpresoj që zotëria në fjalë t’i drejtohet policisë. Nuk ka rëndësi se kush e ushtron presionin, qoftë edhe kryetari, i cili duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit. Nuk vjen në shprehje që të ndryshohet vullneti i votuesve. Duhet të ketë liri absolute në ditën e zgjedhjeve. Unë i jam mirënjohës këtij zotërisë që nuk e dëgjoi rekomandimin dhe që nuk votoi në favor të iniciativës tonë, nëse për këtë dikush i ka bërë presion. Unë kërkoj që policia të hetojë plotësisht këtë çështje”, tha Hoxhiq.
Por ajo, njëkohësisht, tha se dyshon në vërtetësinë e rrëfimit të Bojan Markoviqit sepse “numri rendor gjashtë nuk është shtyrë përpara as në Mitrovicën e Veriut”.
Në këtë numër është e renditur Amra Memoviq.
“Ajo mori numrin më të madh të votave në veri të Kosovës. Sa i përket këtij numri edhe nëse do të kishte presion, ajo mori shumë pak vota nga pjesa jugore e Kosovës. Kjo, përfundimisht, është e pavërtetë”, thotë Hoxhiq.
Amra Memoviq mori 14 vota në Ranillug.
Çka pas zgjedhjeve?
Nga gjithsej 120 vende në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë.
Bazuar në rezultatet aktuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lista Serbe fitoi të dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, të garantuara për këtë komunitet.
Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe Iniciativa Rome fituan nga dy vende secila. Subjektet politike boshnjake, Koalicioni Vakat, Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq dhe Partia e Re Demokratike, fituan nga një vend secila. Partia e Bashkuar Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, e cila përfaqëson komunitetin egjiptian dhe Partia e Ashkalinjëve për Integrim fituan nga një vend në Kuvend.
PZAP-ja gjithashtu anuloi mbi 800 vota të cilat Iniciativa Rome i ka marrë nga komuniteti serb në Kosovë, subjekt ky që fitoi 4,049 vota. Arsyet janë të ngjashme me rastin e Adrijana Hoxhiqit.
Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve do të bëhet kur Gjykata Supreme, si instancë e fundit e ankimimit, të vendosë mbi ankesat e subjekteve politike apo kandidatëve për rezultatet e zgjedhjeve. Gjykata ka afat që të vendosë deri të premten, më 12 mars.
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, arriti një fitore bindëse në këto zgjedhje. Ai pritet që të formojë Qeverinë e re të Kosovës. Sidoqoftë, Kurti në disa raste ka thënë se nuk do ta përfshijë në koalicion qeverisës Listën Serbe, të cilën ai e konsideron si një instrument të Beogradit në Kosovë.
Partia e Kurtit fitoi 58 vende, ndërkaq për zgjedhjen e qeverisë nevojiten 61 vota. Kurti ka thënë se planifikon të formojë qeverinë me disa deputetë nga komunitetet e tjera pakicë.