VOAL

VOAL

Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë refuzon dialogun me Kurtin

Sandra Cvetkoviq

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar më 27 maj se është “krejtësisht e pakuptimtë” që të përgjigjet në letrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilën ia ka dërguar abatit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq. Në atë letër Kurti e kishte shprehur dëshirën që të vizitojë Manastirin e Deçanit dhe të bisedojë me abatin Janjiq. Arsyeja e refuzimit, siç thuhet në një komunikatë të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, është mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronën e Manastirit të Deçanit.

“Lidhur me letrën që zoti Albin Kurti e ka dërguar në manastirin ortodoks serb të Deçanit të Lartë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit mbetet pranë qëndrimit të saj të deklaruar në mënyrë të qartë më parë, se nëse institucionet shqiptare të Kosovës dëshirojnë të tregojnë një minimum të vullnetit të mirë, për të respektuar të drejtat fetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, ato janë të obliguar që të përmbushin plotësisht vendimin e Gjykata Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, për njohjen e pronës së manastirit ”, thuhet në njoftimin e dioqezës.

“Ky vendim tash e pesë vjet është duke u injoruar me këmbëngulje, pavarësisht kërkesave për zbatimin e tij nga ana manastirit dhe institucioneve ndërkombëtare”, njoftohet në komunikatën e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Qeverisë së Kosovës, Hajrulla Çeku, më 26 maj ka thënë se “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe në veçanti të kishave ortodokse”.

“Dialogu me klerikët ortodoksë në Kosovë është rruga e vetme për një zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ministri Çeku në profilin e tij në Facebook, duke postuar një letër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të dërguar më 20 maj, abatit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.

Në atë letër, përveç tjerash, thuhet që Qeveria e Kosovës do të kujdeset “për të gjitha monumentet tona (të kulturës), e në veçanti për kishat dhe manastiret ortodokse”.

Kryeministri Kurti, gjithashtu ka shprehur dëshirën që të vizitojë Manastirin e Deçanit dhe të bisedojë me abatin e manastirit, Sava Janjiq, duke theksuar se vetëm me komunikim të sinqertë mund të arrihet te mirëkuptimi, zgjidhja e sfidave dhe largimi i paragjykimeve.

“Do të jem në pritje të përgjigjes për të përcaktuar detajet e vizitës”, thuhet në fund të letrës së kryeministrit Kurti.

Radio Evropa e Lirë, më 27 maj, e ka kontaktuar abatin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, i cili na udhëzoi t’i drejtohemi sekretarit të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, Milosh Periq. Në një bisedë telefonike, Periq ka thënë se përgjigjen në pyetjen lidhur me dialogun e Qeverisë së Kosovës me Kishën Ortodokse Serbe do ta dërgojë me shkrim. Të njëjtën ditë, Kisha Ortodokse Serbe lëshoi një deklaratë.

Problemi me pronën në Deçan

Edhe pse vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë përfundimtare dhe të detyrueshme për të gjitha palët, udhëheqja lokale në Deçan po refuzon që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas të cilit, 24 hektarë tokë i përkasin Manastirit të Deçanit.

Autoritetet e atjeshme lokale thonë se ajo pronë i takon ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe Iliria” dhe se asnjëherë nuk i ka takuar manastirit. Ata konsiderojnë që Gjykata Kushtetuese e ka legalizuar vendimin e Slobodan Milosheviqit, të vitit 1997, kur vendosi që atë pronë t’ia dhurojë manastirit.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet lokale nuk e kanë ndryshuar qëndrimin dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk do të zbatohet.

“Në fakt, ai vendim e ka penguar zhvillimin tonë ekonomik. Tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Janë mjaft konteste të cilat njëherë duhet të mbyllen”, ka thënë Ramosaj.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se qeveria e kupton ndjeshmërinë e çështjes dhe se është e vetëdijshme që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, por ai theksoi se duhet të kihen parasysh edhe kundërthëniet që e kanë përcjellë çështjen e tokave përreth manastirit, në aspektin historik dhe ligjor.

“Së pari, vendimi i Qeverisë së Serbisë, me të cilin në vitin 1997 iu dhanë tokat Manastirit ishte diskriminues, sepse ato toka ishin pronë e dy ndërmarrjeve publike. Së dyti, në kuptimin ligjor, Manastiri i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor sepse ligjërisht i përket Kishës Ortodokse Serbe. Është pak e habitshme se si iu njoh Manastirit e drejta e palës në procedurë, aq sa është edhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces, duke i dhënë të drejtë Manastirit. Çështja e pronësisë së tokave përreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike”, theksoi Kryeziu.

Ai vlerësoi se Manastiri i Deçanit është pjesë e mozaikut të pasur kulturor të Kosovës. Por, sipas tij, “fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia, si instrument politik kundër Kosovës”.

“Ne do të angazhohemi maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit, por edhe liderët fetarë të Manastirit duhet të bëjnë pjesën e tyre, duke kërkuar zgjidhje përmes marrëveshjeve me popullatën lokale”, tha Kryeziu.

Komuniteti ndërkombëtar në Kosovë vazhdimisht i ka bërë thirrje Komunës së Deçanit dhe Qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit 24 hektarë tokë janë në pronësi të Manastirit të Deçanit.

Çështje delikate

Sociologu dhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri vlerëson se pozicioni i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë është një çështje “delikate” sepse sipas tij, “përfshin shumë aktorë dhe interesa të niveleve të ndryshme fetare, historike, kulturore dhe politike”. Ai shton se kjo çështja duhet të adresohet nga Kosova dhe Serbia, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

“Pas vitit 2008, është diskutuar pak për këtë çështje për shkak të kompleksitetit të situatës, pothuajse gjithçka u la në përkufizimet e vendosura në Planin e Ahtisarit. Mendohej se kjo çështje do të ishte pjesë e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Muhaxhiri.

Ai theksoi se nisma e kryeministrit Kurti për dialog me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe është e mirë sepse mund t’i kontribuojë krijimit të një atmosfere konstruktive dhe të përmirësimit të marrëdhënieve mes kësaj kishe dhe Qeverisë së Kosovës.

Muhaxhiri shton se mbrojtja e pronave të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë është politizuar dhe më shumë “zhurmë” është bërë në publik sesa që situata është e tillë në terren.

Ai thotë se një “zgjidhje specifike” do të gjendet për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Në fund të prillit, në opinion doli një “non-paper”, ku thuhej se Kisha Ortodokse Serbe do të merrte një status të veçantë, si pjesë e një marrëveshjeje për zgjidhjen e kontestit mes Kosovës dhe Serbisë.

Franca dhe Gjermania, që u dyshuan se qëndrojnë prapa këtij dokumenti, thanë se ky “non-paper” nuk ishte origjinal dhe se nuk pasqyronte asnjë nga qëndrimet e shteteve të tyre.

“Non-paper”, është një term që përdoret në BE lidhur me pikat e diskutimeve që ndahen në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive dhe institucioneve.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Emërohen anëtarët e bordit të ARKEP-it

Kuvendi i Kosovës, të enjten, më 27 maj, emëroi kryetarin dhe anëtarët e Bordit të Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Naim Rrahimi është zgjedhur kryetar i bordit kurse anëtarë: Lule Ahmeti, Shkumbin Hamiti, Rrezrata Duraku-Riza dhe Arian Qorolli.

Anëtarët dhe kryetari i bordit të ARKEP-it, me rekomandim të ministrit i propozon qeveria dhe ata emërohen nga Kuvendi i Kosovës.
ARKEP është organi rregullator, i cili zbaton dhe mbikëqyrë kornizën rregullatore të përcaktuar nga Ligji për komunikime elektronike, nga Ligji për shërbimet postare, si dhe nga politikat e zhvillimit të fushës së komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare, të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës. rel

Shkarkohet bordi i AKP-së

RFE/RL

Me 65 vota për, 3 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës shkarkuan bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ndërkaq, deputetët nuk kanë miratuar raportin vjetor të kësaj agjencie.

Me kërkesën e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin e Kosovës, të enjten, u diskutua për raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe shkarkimi i bordit të kësaj agjencie.

Komisioni parlamentar për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti pas shqyrtimit të raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës mosmiratimin e këtij raporti dhe shkarkimin e bordit të agjencisë.

Ky Komision, po ashtu i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të propozojë përbërjen e re të bordit të AKP-së.

Mimoza Kusari-Lila, ushtruese e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se AKP-ja nuk i ka shërbyer ekonomisë së Kosovës dhe ka pasur performacë të dobët në raport me investimet për zhvillim dhe nxitjen e punësimit.

Ajo ka thënë se mbi 90 për qind e ndërmarrjeve të privatizuara janë kthyer në depo apo hapësira për ndërtim. Një degradim i veçantë, sipas saj, ka ndodhur edhe me tokën bujqësore.

“Ndërprerja e funksionimit të bordit në përbërjen aktuale është domosdoshmëri për t’i hapur rrugë përzgjedhjes së një bordi profesionist, i cili brenda këtij viti do ta përmbyllë aktivitetin e AKP-së, do t’i përcjellë të gjitha rastet që kanë të bëjnë me procesin e likuidimit apo kontesteve që karakterizojnë procesin e privatizimit si dhe do të sigurohen që asetet e mbetura të paprivatizuara, të kthehen në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.
Opozita: Nuk mund të shuhet agjencia pa ndryshuar ligjin

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se për ta shuar AKP-në duhet të ndryshohen të paktën dy ligje, përkatësisht Ligji për AKP-në dhe Ligji për dhomën e posaçme të Gjykatës së Apelit.

“Kë dëshiron ta mbyllësh. Nuk mund të mbyllësh pa i ndërruar këto ligje. Duhet të dihet e çfarë do të ndodhë me këto 20 mijë raste. Për të ditur, duhet analizë sepse ka shumë palë të përfshira dhe për këto 20 mijë raste janë qindra miliona euro në pyetje që mund t’i humbë Kosova”, tha Gashi.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelrad Tahiri tha se emërimi i një bordi të ri që thuhet se do të ketë mandat shuarjen e AKP-së, nuk mund të bëhet pa ndryshuar Ligjin për AKP-në.

“Për të shuar dhe për t’ia ndërruar mandatin AKP-së, atëherë do të duhej të procedohej ligji i cili do të propozonte në dispozita kalimtare edhe një bord të përkohshëm, i cili do të kishte mandatin e qartë, pra përmbylljen e punës së AKP-së, një proces i rëndësishëm. Këtë bord që do ta votoni sot, nesër … nuk mund të kryejë një punë të tillë sepse nuk e lejon ligji, dhe në momentin që del përtej këtyre kornizave ligjore, ata (anëtarët e bordit) bëjnë vepër penale”, tha Tahiri.

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se duke qenë se për këtë çështje duhet të amendamentohen dy ligjet, kërkohet një raport dhe një analizë para se të merret vendimi, por jo në këtë formë.

Sipas tij, kjo formë e trajtimit të kësaj çështjeje, e kthen Kosovën prapa.

“Janë diku rreth 3.000 lëndë në gjykatat themelore të Kosovës. Pyetja ime e parë është se cili është roli i shtetit dhe qeverisë në këtë temë dhe si do ta trajtojë. Janë mbi 20 mijë lëndë në dhomat e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Janë të paprivatizuara 817 lloje tjera të asteve. Si do të trajtohen?. Pastaj ka kërkesa kreditore të Trepçës, 1.6 miliard euro si do të trajtohet?”, u shpreh Tahiri.

Kurti: Bordi i AKP-së duhet të shkarkohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës tha se bordi i AKP-së duhet të shkarkohet, me qëllim të emërimit të një bordi të ri, i cili sipas tij, do të fillojë me procedurat për shuarjen e këtij institucioni.

“Që të shuhet AKP-ja është e rëndësishme të shkarkohet bordi. Dy dekada të pasluftës janë dekada të de-industrializimit nëpërmjet privatizimit dhe kjo do të marrë fund. Kjo është arsye pse na nevojitet një bord i ri që mision ka shuarjen e AKP-së”, tha Kurti.

Armend Muja, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nga raporti i Agjencisë së Privatizimit të Kosovës, të cilin e kanë pasur në diskutim të mërkurën në Komisionin për Ekonomi ekzistojnë fakte të cilat tregojnë për një dëm që i është bërë ekonomisë nga procesi i privatizimit.

“Në kuadër të raportit kemi gjetur disa fakte që kërkojnë reagim emergjent. E para prej 500 ndërmarrjeve që janë shitur kanë gjeneruar 600 milionë euro. Në vendet e rajonit, Evropës Qendrore e Lindore për një ndërmarrje të vetme janë gjeneruar 500 milionë euro. Këto kanë qenë 90 për qind të ekonomisë së Kosovës e që si rezultat i një privatizimi të dobët janë humbur 40 mijë vende pune”, tha ai.

Futja në rend dite e raportit të AKP-së dhe kërkesa për shkarkimin e bordit është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kosovë.
AKP: Kritikat për performacë të dobët, të pabaza dhe tendencioze

Një ditë më parë, bordi i AKP-së, përmes një reagimi publik ka konstatuar se deklaratat publike në lidhje me performancë të dobët, janë të pabazuara dhe tendencioze, andaj si të tilla i kanë konsideruar qëndrime politike të vetëm një grupi parlamentar.

“Bordi e fton publikisht Mimoza Kusari-Lila dhe gjithë deputetët e GP të LVV brenda Komisionit, që të bëjnë publike se cila pjesë konkrete e raportit vjetor të punës arsyeton qëndrimin e tyre për mungesë të performancës së Agjencisë. Është për keqardhje që në mungesë të fakteve dhe argumenteve për vlerësim profesional të raportit vjetor, deputetët e një grupi parlamentar përdorin argumente politike të çuditshme, të përgjithësuara dhe të pakuptueshme për ne dhe opinionin publik, duke tentuar që të njollosin punën me përkushtim të gjithë stafit të Agjencisë, e cila është zhvilluar në rrethana jo të lehta të cilat e kanë karakterizuar vitin 2020”, thuhet në reagimin e bordit të AKP-së.

Qeveria e Kosovës në planin qeverisës katërvjeçar ka paraparë që AKP-ja të shuhet dhe të transfermohet në agjenci brenda qeverisë dhe të krijohet Agjencia Zhvillimore për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.

Pasuria e Kosovës, sipas planit të qeverisë do të mbrohet përmes krijimit të Fondit Sovran, i cili do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për të mundësuar investime nga jashtë dhe qasje në tregje të huaja të kapitalit.

Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdimisht është kritikuar për mostransparencë, korrupsion e në disa raste është cilësuar edhe si proces i “shkatërrimit” të ndërmarrjeve shoqërore. Ky proces ka filluar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM). Në vitin 2008 është pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Në Kosovë, nga 3.951 asete të identifikuara, deri më tani janë privatizuar 1.762 prona, ndërkaq të pa privatizuara kanë mbetur edhe 2.189. Këto prona, në 116 valë të privatizimit janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë euro.

Ndërmarrjet shoqërore në Kosovë janë shitur përmes metodës të quajtur spin-off i rregullt, metodë kjo që lejon ndryshimin e destinimit të ndërmarrjes. Kurse, ndërmarrjet që janë konsideruar të mëdha janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.

Gjatë këtij procesi janë shitur edhe toka bujqësore, industriale, komerciale dhe toka ndërtimore. Në raportin e AKP-së, të publikuar në korrik të vitit të kaluar, thuhet se janë privatizuar 840 toka të këtyre kategorive.

Dënohet me burgim të përjetshëm vrasësi i Donjeta Pajazitajt

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me burgim të përjetshëm të pandehurin me inicialet N.P, për veprën penale “vrasje e rëndë”, përkatësisht për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Sipas aktakuzës, më 9 nëntor, 2015, në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, i pandehuri N.P, e kishte marrë me veturë viktimën, e cila ishte nisur për në punë dhe e kishte dërguar në drejtim të bjeshkëve të Strellcit.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri “në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta” kishte vrarë Donjeta Pajazitajn, duke shtënë me armë zjarri dy herë në kokë.

Trupi i pajetë i Pajazitajt, u gjet më 17 dhjetor të vitit 2015.

I pandehuri me inicialet N.P. është kushëri i familjes Pajazitaj.

Ai fillimisht ishte liruar nga akuzat për mungesë të provave. Në mars të vitit 2019, N.P u gjet fajtor dhe u dënua me burg të përjashtëm, por rasti u kthye në rigjykim.

Gjykata Themelore e Ferizajt thotë se palët kanë afat prej 15 ditësh që ta apelojnë vendimin, duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit në Prishtinë. rel

Kurti sqaron në Kuvendin e Kosovës: Do e mundësojmë reciprocitetin ndaj Serbisë, por na duhet kohë që mos dështojmë

KOSOVA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka sqaruar në Kuvend se qeveria e tij nuk është tërhequr nga reciprociteti.

Ai deklaroi se është për reciprocitet ndaj Serbisë, por për ta zbatuar atë duhet kohë. Sipas tij kjo kohë do të vlejë në mënyrë që Kosova mos dështojë në vendosjen e reciprocitetit.

Kurti thekson se masa nuk do të vendoset si shenjë hakmarrjeje ndaj Serbisë, por si parim barazie dhe do të zbatohet në kohën kur të jetë gati për zbatim të plotë.

“Se jemi për reciprocitet kjo nuk do mend, por ajo çka do të bëjmë është ta mundësojmë atë. Para një muaji është miratuar propozimi që unë kam marrë për drejtorin e ri të doganave, tash Kosova ka drejtor të ri të doganave, Serbia përgjithësisht bën barreriera sporadike ndaj mallrave të Kosovës. Për ta zbatuar reciprocitetin për të cilin jemi zotuar duhet tu bëjmë ballë barrierave sporadike dhe sistemike. Na duhet kohë që ta zbatojmë reciprocitetin në mënyrë që të mos dështojmë. Jemi Qeveria e parë që merret me reciprocitetin. Reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje, por si parim që del nga parimi i barazisë. Ne do ta zbatojmë reciprocitetin në kohën kur jemi të gatshëm për zbatimin e plotë të tij”, u shpreh Kurti.

Pas takimit me Kurtin, Abdixhiku: Pa SHBA-në s’duhet të ketë dialog me Serbinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk duhet të ketë dialog me Serbinë. Këto deklarata i pari i LDK-së i ka bërë nga oborri i Qeverisë së Kosovës, pas takimit që zhvilloi të mërkurën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. “Pjesëmarrja e SHBA-së është e pakontestueshme. Pa pjesëmarrje të SHBA-në as që duhet të ketë dialog. Kosova vlerëson rolin e BE-së, por domosdoshmërish e kërkon përfshirjen e SHBA-së në dialog. Kjo është e padiskutueshme”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të dijë qëndrimin politik të qeverisë për procesin e dialogut. “Kosova duhet të dijë që cili është qëndrimi politik i Qeverisë së Kosovës në dialog dhe po e presim se cili është ky pozicion, dhe bëmë një ofertë, ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik, që në mendojmë që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë. Ky dokument përmban parime që dialogu duhet t’i mbrojë e që janë diskutimi mbi bazën e GJND-së, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues”, ka thënë Abdixhiku.

Sa i përket çështjes së reciprocitetit me Serbinë, Abdixhiku ka thënë se kryeministri Kurti ka ndryshuar pozicion në dialog për këtë proces dhe kauza të tjera që i ka pasur para se të bëhej kryeministër. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë javë nisi takimet me krerët e opozitës. Të martën ai zhvilloi një takim me udhëheqësin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn. Kreu i AAK-së, gjatë takimit po ashtu ka kërkuar që në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja të ketë një përfaqësues.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, ka refuzuar thirrjen për takim. Në muajin qershor pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kryeministri Kurti ka theksuar disa herë se nuk do të zhvillojë takimet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, pa u konsultuar me spektrin politik në Kosovë. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Qeveria: Në Kizhevak u zhvarrosën mbetje mortore të të paktën nëntë personave

RFE/RL

Në Kizhevak të Serbisë është përmbyllur procesi i gërmimit dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore dhe sipas Qeverisë së Kosovës, janë zhvarrosur të paktën mbetjet mortore të të paktën nëntë personave.

Mbetjet mortore të dy personave janë identifikuar tashmë përmes metodës së ADN-së, njofton Qeveria.

Në Kizhevak të Rashkës gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës në Kosovë nisën vitin e kaluar, por u ndërprenë për shkak të kushteve atmosferike. Ato rifilluan më 5 maj dhe zgjatën deri më 26 maj.

Në këto gërmime kanë marrë pjesë ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës, krahas atyre të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertë të EULEX-it, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe institucioneve të Serbisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve të​ tyre dhe vendosjen e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

Kosova regjistron një viktimë dhe 11 raste me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të martën një viktimë me koronavirus.

Viktima është nga Prizreni, 67 vjeç.

Sipas këtij institucioni, në 24 orët e fundit janë regjistruar 11 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 3,291 mostrave.

IKSHPK-ja ka njoftuar se më 25 maj janë shëruar 258 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 3,303.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 101,725 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,241 kanë vdekur.
Dy persona duke pritur që të vaksinohen në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Në Kosovë është në zhvillim e sipër faza e dytë e vaksinimit, ku bëjnë pjesë personat e moshës 65-79 vjeç.

Në fazën e parë që ka nisur në fund të marsit, përparësi u është dhënë punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.

Në fazën e tretë, ndërkaq është thënë se do të vaksinohen 50 për qind e qytetarëve.

Kosova po zhvillon fushatën e imunizimit me vaksina të dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian.

Ky vend nuk ka të nënshkruar asnjë kontratë për blerje vaksinash nga ndonjë kompani farmaceutike.

Haradinaj kërkon nga Kurti praninë e amerikanëve në dialog

RFE/RL

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, praninë e një përfaqësuesi të Shteteve të Bashkuara në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Takimi mes Haradinajt dhe Kurtit është realizuar të martën pas ftesës që kryeministri Kurti u ka dërguar tre liderëve të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, për siç ka thënë, bisedë për “shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje në interes të Kosovës”.

Ai nuk ka cekur konkretisht se për çka do të bisedohet, mirëpo opozita e ka parë këtë thirrje si iniciativë të Kurtit për të folur për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve.

“Ajo që po hetojmë është mungesa e prezencës së Shteteve të Bashkuara në dialog, mendojmë se kjo është situatë jo e mirë për Kosovën, e prish balancin e interesave të Kosovës në dialog. Do të ishte shumë me dobi një emisar, një i ngarkuar nga SHBA-ja, në këtë rast nga presidenti (amerikan) Joe Biden që të ngarkojë dikë që përfaqëson Amerikën në temën e dialogut” ka thënë Haradinaj.

Sipas një komunikate të kryeministrisë, Kurti e ka njoftuar Haradinajn për takimet që ka pasur me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e dialogut të ardhshëm me Serbinë.

Të mërkurën është paralajmëruar takimi mes Kurtit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, derisa ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, ka refuzuar thirrjen për takim.

Në muajin qershor pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Vetë Kurti ka theksuar disa herë se nuk do të zhvillojë takimet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, pa u konsultuar me spektrin politik në Kosovë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011 në Bruksel.

“Shtëpia ruse” në mision në Kosovë

Sandra Cvetkoviq, Bekim Bislimi

Një delegacion nga Qendra Ruse për Shkencë dhe Kulturë me qendër në Beograd, “Shtëpia ruse” (Ruski dom), vizitoi Kosovën javën e kaluar për t’u takuar me përfaqësuesit serbë, përfshirë ministrin e Kosovës për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Igor Simiq.

Ata diskutuan për “çështje të shumta të zhvillimit dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet arsimore, kulturore dhe sociale lokale”. U tha që disa marrëveshje të arritura në Kosovë do të forcojnë pozicionin e gjuhës ruse “në këtë rajon dhe promovimin e arritjeve të Rusisë në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës”. Delegacioni i Qendrës Ruse në Kosovë gjithashtu u takua me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe në Graçanicë dhe Deçan.

Vizita në Kosovë e delegacionit të "Shtëpisë ruse".

Vizita në Kosovë e delegacionit të “Shtëpisë ruse”.

Në komunikatën e Qendrës ruse për Shkencë dhe kulturë thuhet se vizita e delegacionit të “Shtëpisë ruse” është zhvilluar me mbështetjen e “Zyrës në Prishtinë të Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Serbisë”.

Zyra e Federatës Ruse gjendet në lagjen Arbëria në Prishtinë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar kësaj zyreje, lidhur me vizitën e delegacionit të “Shtëpisë ruse” në Kosovë, me pyetjen se cili ka qenë qëllimi i kësaj vizite, për çka konkretisht është arritur marrëveshja në takimet që janë mbajtur. Por, nga kjo zyre nuk kanë kthyer përgjigje.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse kanë qenë në dijeni për qëndrimin dyditor të delegacionit të Qendrës Ruse në Kosovë dhe ka kërkuar një koment lidhur me këtë vizitë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu është përgjigjur shkurt.

“Jemi njoftuar ndërkohë për takimin, por si Zyre e Kryeministrit nuk kemi qenë të informuar zyrtarisht për të”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje me shkrim.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës me pyetjen se a është e njoftuar lidhur me vizitën e delegacionit të “Shtëpisë ruse”, por deri në publikimin e këtij teksti, kjo ministri nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Rusia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron që territori i saj është pjesë përbërëse e Serbisë.

Çka është “Shtëpia ruse”?

Qendra Ruse për Shkencë dhe Kulturë “Shtëpia ruse” në Beograd, është përfaqësi e agjencisë federale “ROŠOTRUDNIČESTVO” (ROSHOTRUDNIÇESTVO) në Serbi.

Kështu thuhet në faqen zyrtare të internetit të kësaj organizate, qëllimi themelor i të cilës është “forcimi i lidhjeve miqësore, kulturore, lidhjeve ndërkombëtare të dy vendeve vëllazërore – Rusisë dhe Serbisë”.

“ROŠOTRUDNIČESTVO” është agjenci e themeluar në vitin 2008, në harmoni me dekretin e presidentit të Federatës Rusë. Fokusi i kësaj agjencie është në zbatimin e politikës shtetërore për bashkëpunimin ndërkombëtar si dhe promovimin e “kuptimit objektiv të Rusisë moderne në botë”.

Agjencia “ROŠOTRUDNIČESTVO” funksionon në 80 vende në mbarë botën.

Në krye të Qendrës Ruse për Shkencë dhe Kulturë “Shtëpia ruse” në Beograd është Jevgenij Boranov. Ai ka qenë gazetar raportues nga ish-Jugosllavia, ndërkaq në vitin 2001, atij iu dha urdhri “ Për trimëri”.

Ai është fitues i çmimit “TEFI” të televizionit kombëtar rus, për një raport të veçantë mbi hulumtimin e trafikimit të organeve të serbëve të rrëmbyer në Kosovë në periudhën nga 1998 deri në 2001.

Pas vizitës në Kosovë, Baranov, më 24 maj është takuar me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin.

Siç është njoftuar, ministri serb Vulin, me atë rast, ka theksuar se e vlerëson nismën e Qendrës Ruse për Shkencë dhe Kulturë, për çështjen e zhvillimit dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet serbe të arsimit, kulturës dhe institucioneve humanitare në Kosovë.

Ministri i Mbrendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin gjatë takimit me drejtorin e Qendrës ruse për Kulturë, Jevgenij Baranov. Beograd, 24 maj, 2021.

Ministri i Mbrendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin gjatë takimit me drejtorin e Qendrës ruse për Kulturë, Jevgenij Baranov. Beograd, 24 maj, 2021.

Çfarë marrëveshje ka bërë “Shtëpia ruse” gjatë vizitës në Kosovë?

Siç thuhet në një komunikatë të “Shtëpisë ruse”, të datës 20 maj, përveç tjerash është nënshkruar edhe Marrëveshja për bashkëpunim me Universitetin në Mitrovicë , i cili funksionon sipas sistemit arsimor të Serbisë.

Mitrovica e Veriut është komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku autoritetet serbe kanë zhvendosur, siç e quajnë ata, Universitetin e Prishtinës, pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Studimet aty zhvillohen sipas plan-programit të Republikës së Serbisë.

Rektori i Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Zdravko Vitosheviq dhe drejtori i “Shtëpisë ruse”, Jevgenij Baranov, kanë konkluduar se realizimi i programeve të parapara në marrëveshje “pa dyshim se do të japë rezultate në fushën e fuqizimit të pozitës së gjuhës ruse në këtë rajon (Kosovë) dhe promovimin e të arriturave të Rusisë në sferën e arsimit, kulturës dhe shkencës”.

Kjo theksohet në komunikatën zyrtare të Universitetit të Mitrovicës së Veriut dhe Qendrës Ruse për Shkencë dhe Kulturë “Shtëpia ruse”.

Në takimin ndërmjet drejtorit të Qendrës ruse, Jevgenij Baranov dhe rektorit të Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Zdravko Vitosheviq, kanë qenë të pranishëm edhe Goran Rakiq dhe Igor Simiq, drejtues të Listës Serbe, parti kjo e cila merr pjesë në institucionet lokale dhe qendrore në Kosovë dhe e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Kjo shihet edhe në fotografitë që janë publikuar në faqen e internetit të Universitetit në Mitrovicë të Veriut.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të kontaktojë me Rakiqin dhe Simiqin, për të marrë deklaratat e tyre lidhur me takimin me delegacionin e “Shtëpisë ruse”, por ata kanë qenë të paqasshëm.

Prorektori i Universitetit të Mitrovicës së Veriut, që është i ngarkuar me çështjet e bashkëpunimit ndërkombëtar, Jovan Baziq, konfirmoi për REL-in se ky universitet më 18 maj arriti një marrëveshje bashkëpunimi me delegacionin e “Shtëpisë ruse”, marrëveshje e cila parasheh bashkëpunim me universitetet ruse në fushën e shkencës, kulturës dhe artit.

“Marrëveshja e bashkëpunimit përfshin pjesëmarrjen e përbashkët në realizimin e programeve të ndryshme arsimore, të kërkimeve shkencore, projekteve në fushën e artit, konferencave shkencore, seminareve, programeve të zhvillimit profesional, mësimit të gjuhës ruse dhe të ngjashme”, tha Baziq.

Përveç takimit me përfaqësuesve të Universitetit në Mitrovicën e Veriut, delegacioni i “Shtëpisë ruse” është takuar në Kosovë edhe me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe.

Në Manastirin e Graçanicës, i cili gjendet rreth dhjetë kilometra larg Prishtinës, është mbajtur një takim i delegacionit rus me peshkopin e Rashkës-Prizrenit, Teodosije.

Siç është thënë, në atë takim është folur edhe për çështjet “e karakterit humanitar”, ndërkaq që delegacioni rus, më pas, ka vizituar edhe Manastirin e Deçanit, në mënyrë që peshkopit të këtij manastiri, Sava Janjiqit, t’i ofrojë mbështetje, për shkak të “presioneve të vazhdueshme, të cilat autoritetet e Prishtinës i ushtrojnë mbi Manastirin dhe vëllazërinë e tij”.

Në komunikatë është përkujtuar që Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë i ka dënuar ashpër tentimet që shenjtërit serbe të pranohen si “trashëgimi e Kosovës”.

Hoti: Mbështetja e Rusisë përmes Beogradit, e pritshme

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare, thotë se është e pritshme që Rusia me të gjitha format ta mbështesë Serbinë dhe shton se një nga komponentët ku shfaqet kjo mbështetje është edhe ndihma e Rusisë për serbët në Kosovë.

“Siç duhet tashmë, në veçanti Lista Serbe kontrollohet në mënyrë direkte nga Beogradi. E kjo nënkupton se përmes autoriteteve të Beogradit, normalisht komunikohet edhe drejtpërdrejt me Rusinë. Sipas mendimit tim, kjo nuk paraqet asnjë të re sepse raporti i Serbisë dhe i serbëve në Kosovë me Rusinë ka qenë edhe në të kaluar, është edhe sot dhe sipas bindjeve time, pavarësisht proceseve të integrimeve evropiane, do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Hoti.

Drejtori i Qendrës Rajonale në Novi Sad, Aleksandar Popov, vlerëson që vizita e delegacionit të “Shtëpisë ruse” nuk do ta forcojë dhe as nuk do ta dobësojë ndikimin e Rusisë në mjediset e banuara me serbë në Kosovë. Ai thekson që kjo vizitë është “krejtësisht normale, sepse në mjediset serbe sundon ndjenja pro-ruse”.

“Në qoftë se Beogradi është ai që e prezanton Rusinë si mbrojtësen kryesore të Serbisë dhe si mbrojtësen kryesore kur bëhet fjalë për Kosovën, atëherë është krejtësisht normale që të takohen përfaqësuesit e serbëve me qytetarë që nuk bartin kurrfarë funksioni. Ata Rusinë e shohin si një mbrojtëse të tyre Këshillin e Sigurimit dhe ajo (Rusia), në skenën publike angazhohet që Kosova të mbetet në kuadër të Serbisë”, theksoi Popov për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se Rusia ka qëndrim të qartë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe shtoi se “Rusia përfaqëson interesat e Serbisë çdo herë”.

“Kjo është ajo linja e ndikimit edhe në Ballkan. Ndonëse, nëse e shoh në esencë, Serbia ka fare pak përfitim nga kjo, përveç nëse heq dorë nga rruga evropiane dhe nëse Amerika edhe më tej do të mbështesë disa gjëra ose jo. Në atë rast, ai ndikim është i rëndësishëm, përndryshe, kur bëhet fjalë për negociatat (ndërmjet Kosovës dhe Serbisë), të cilat tash do të hyjnë në fazën intensive, ajo është tërësisht në duart e SHBA-së dhe BE-së”, theksoi Popov.

Rusia kishte ofruar ndihmë humanitare për komunitetin serb në Kosovë më 2011, kur nën udhëheqjen e liderëve dhe qytetarëve lokalë në veri të Kosovës, u ngritën barrikada me qëllim që të kundërshtohej integrimi në sistemin e Kosovës i katër komunave të banuara me shumicë serbe (Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit).

Pavarësisht se pati dyshime se ndihma ruse nuk ishte vetëm humanitare, megjithatë një gjë e tillë nuk u provua kurrë. Një dërgesë me 27 kamionë hynë në Kosovë në atë kohë. Ky konvoj u lejua që të hynte nga KFOR-i pasi për tri ditë qëndroi në kufi. Kjo dërgesë më pas u shoqërua për në Kosovë nga ambasadori i atëhershëm rus në Beograd, Aleksandar Konuzin, i cili së bashku me anëtarët serbë të organizatave të krahut të djathtë shkuan në veri të Kosovës.

Kosova do të marrë vaksina edhe nga disa shtete të BE-së

RFE/RL

Liderët e Bashkimit Evropian, gjatë samitit të mbajtur në Bruksel, kanë paralajmëruar se deri në fund të vitit, blloku do të dhurojë së paku 100 milionë doza vaksinash në vendet më pak të zhvilluara, ku do të përfitojë edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kroacia ishte vendi i parë që bëri publike dhënien e një donacioni prej 10.000 dozave të vaksinës për Kosovën dhe një sasie tjetër dhe për Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën. Pikërisht këto tri shtete të rajonit janë duke ngecur më së shumti në procesin e vaksinimit.

Burimet nga BE-ja kanë paralajmëruar se Austria, Hungaria, Polonia dhe Sllovenia, së shpejti do të japin falas vaksina për këto shtete të rajonit. Kosova pritet që të përfitojë një numër të konsiderueshëm të vaksinave, që do të jepen donacion nga këto shtete. Nga këto donacione do të përfitojnë edhe Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Këto donacione të vendeve anëtare të BE-së do të jenë doza shtesë pas më shumë se 600.000 dozave që BE-ja tashmë ka ndarë për vendet e Ballkanit.

Në të njëjtën kohë, disa vende të tjera të BE-së janë duke rritur donacionet për shtete të ndryshme. Rumania ka përqendruar ndihmën e saj drejt vendeve në fqinjësinë lindore, sidomos duke dhuruar vaksina Moldavisë. Po ashtu priten donacione edhe për Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Spanja dëshiron më shumë ndihmë për vendet e Amerikës Latine, ndërsa Franca për shtetet e Afrikës së Veriut.

Pos donacioneve, pritet që së shpejti disa vende të BE-së të kenë mundësi edhe t’i shesin vaksinat të cilat u takojnë atyre nga sasia e kontraktuar nga ana e Bashkimit Evropian.

BE-ja ka ndarë edhe 70 milionë euro për vendet e rajonit, me qëllim që t’u ndihmojë në sigurimin e vaksinave. Nga këto mjete mund të paguhen edhe vaksinat të cilat mund të shkojnë nga shtetet e BE-së. Por, shumë prej këtyre shteteve, vaksinat që do t’i dhurojnë do t’i paguajnë nga buxhetet e tyre.

Në kohën kur procesi i vaksinimit në BE po shkon mirë dhe shumë shtete tashmë i janë afruar shifrës prej 50 për qind të qytetarëve të moshës madhore të vaksinuar së paku me një dozë, BE-ja dëshiron të ndihmojë përshpejtimin e vaksinimit edhe në vendet fqinje, sidomos në ato të Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse në rajon situata epidemiologjike duket mjaft e mirë, ditëve të fundit në BE-ja tërheqin vërejtjen se në rast se gjatë verës nuk merr hov procesi i vaksinimit, vala e re e pandemisë mund të kthehet në vjeshtë, siç kishte ndodhur edhe vitin e kaluar.

Shpërthim në një minierë në Bulqizë, plagoset minatori. Niset me helikopter drejt Tiranës

Një shpërthim është regjistruar sot në një minierë në Bulqizë, ku për pasojë është plagosur një minator. Ai është nisur me helikopter drejt Tiranës.

Mësohet se punonjësi i plagosur është 36 vjeç, ndërsa nuk bëhet i ditur identiteti i tij.

Deri tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes në fjalë. bw

COVID-19 në Kosovë, dita e dytë rresht pa viktima, ja sa janë rastet e reja

Kosova ka regjistruar ditën e dytë rresht pa viktima nga virusi COVID-19.

Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se të infektuarit në 24 orët e fundit janë 31, ndërsa lajmi i mirë është se gjatë kësaj kohe, janë shpallur të shëruar 95 qytetarë.

Harta e infektimeve kryesohet nga Prishtina, e cila ka regjistruar 9 raste, e ndjekur nga Gjilani me 5, Mitrovica me 3, Podujeva 4, Ferizaj 2, Prizren 2, Vushtrria 2 dhe me nga një rast komunat e tjera të vendit.

Autoritetet apelojnë qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë masat e vendosura prej tyre, për frenimin dhe parandalimin e sëmundjes së rrezikshme.

Njoftimi i plotë i autoriteteve:

ASNJË RAST I VDEKJES, 31 RASTE POZITIVE DHE 95 TË SHËRUAR NGA COVID-19!

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.012 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 31 raste pozitive.
Brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.

Numri total i rasteve pozitive është 107.244 raste nga 591.824 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.239 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 95 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 101.374 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.631.

Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 9 raste, Gjilan 5 raste, Mitrovicë 3 raste, Podujevë 3 raste, Ferizaj 2 raste, Prizren 2 raste, Vushtrri 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Dragash, Fushë-Kosovë, Kaçanik dhe Obiliq.

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

Mbani higjienën! Respektoni distancën!

Papunësi e madhe, por shumë kompani nuk po gjejnë punëtorë

Nadie Ahmeti

Në kohën kur në Kosovë afërsisht një e treta e popullsisë që është e aftë për punë, por nuk ka një vend pune, shumë kompani ankohen se nuk po mund të gjejnë punëtorë.

Problemi më i madh mbetet gjetja e punëtorëve sezonalë, sidomos në agrikulturë, si dhe gjetja e punëtorëve të kualifikuar për kryerjen e punëve më specifike.

Sipas shifrave zyrtare, papunësia në Kosovë është rreth 25 për qind.

Një biznes që përballet me vështirësi në gjetjen e punëtorëve pa ndonjë kualifikim arsimor, është edhe një fermë që merret me kultivimin e dredhëzave, që gjendet në një fshat malor në Komunën e Prishtinës.

Xhema: Punëtorët ikin pas dy-tri ditësh

Fermeri Lulzim Xhema ka të kultivuara rreth 60 ari sipërfaqe me dredhëza, në fshatin Dabishevc të Komunës se Prishtinës. Xhema, i cili tashmë është në proces të grumbullimit dhe shitjes së këtij produkti, tregon se çdo sezonë ka mungesë të madhe të punëtorëve.

Ai thotë se aktualisht në fermë punojnë katër anëtarë të familjes dhe katër punëtorë nga fshati i tij, por që i nevojiten edhe gjashtë punëtorë. Gjatë ditës, thotë ai, punëtorët duhet të punojnë gjashtë orë, me një rrogë mesatare prej 450 euro në muaj.

“Sivjet jam duke punuar vetëm me dredhëza, vitin e kaluar kam punuar edhe me domate. Gjetja e punëtorëve është problem jashtëzakonisht i madh. Kanë ardhur dy-tri ditë dhe kanë shkuar, nuk kanë ardhur të punojnë më. Edhe përkundër pagesës së mirë që u kam ofruar, nuk kanë pranuar të punojnë. Unë nuk kam problem me shitjen e produkteve, sa kam kërkesë nuk po arrij të mbledh dredhëza. Problemin e kam me mungesë të punëtorëve”, thotë Xhema për Radion Evropa e Lirë.

Dredhëzat e mbjella nga Lulzim Xhema.

Dredhëzat e mbjella nga Lulzim Xhema.

Fshati Dabishevc shtrihet në zonën veri-lindore të Kosovës, rreth 30 kilometra larg Prishtinës. Ky fshat, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të mbajtur në vitin 2011, numëron 108 banorë, me 43 shtëpi.

Lulzim Xhema thotë se një nga arsyet e mungesës së punëtorëve është edhe braktisja e fshatit nga banorët lokalë.

“Problemi ndoshta mund të jetë se gjendemi në një zonë më të thellë malore, rreth 30 kilometra larg Prishtinës. Madje edhe fshatrat tjerë përreth kanë numër të vogël të banorëve. Një nga vështirësitë për punëtorët ndoshta mund të jetë edhe largësia dhe udhëtimi”, thekson ai.

Uka: Problem gjetja e punëtorëve të kualifikuar

Derisa në fermën e dredhëzave, për të siguruar një vend pune nuk kërkohet ndonjë kualifikim adekuat, një kompani tjetër ka problem me gjetjen e punëtorëve të kualifikuar, në një industri më specifike.

Agon Uka nga kompania “Ikonë Studio”, që merret me prodhimin e videove të ndryshme, filmave, reklamave për tregun brenda dhe jashtë Kosovës, aktualisht ka 110 punëtorë, kurse është në proces të punësimit edhe të 70 punëtorëve.

Pozitat e ofruara janë video-editorë. Uka thotë se për këto pozita kanë aplikuar 100 persona, por problem paraqitet kualifikimi dhe përvoja e tyre në fushën e kërkuar.

“Nuk jemi shumë të kënaqur, disa kandidatë përmbushin kërkesat tona, por edhe me kandidatët që shohim pak potencial, mundohemi që të mbajmë trajnime paraprakisht, në mënyrë që edhe ata të jenë në gjendje të hyjnë në procesin e rekrutimit”, thekson Uka.

Uka thotë se paga mesatare për këto pozita është nga 700 deri në 800 euro. Për këtë, sipas tij, interesimi është i madh, por vështirë plotësohen kriteret e kërkuara.

“Një nga kriteret e kërkuara në konkurs është edhe njohja e gjuhës angleze, për shkak të komunikimit të vazhdueshëm që duhet të kenë me klientët ndërkombëtarë, të cilëve u kryejmë shërbime dhe ky është njëri nga problemet që ekziston. Mund të jetë një person që ka përvojë shumë të mirë në montazh, por kur vjen puna te komunikimi, është problem”, thotë Uka.

Në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, pranojnë se ka qytetarë të papunë e që nuk dëshirojnë të punojnë në sektorin privat, konkretisht në sektorin e bujqësisë.

Avni Ajdini, kryetar në këtë sindikatë, thekson se në këtë sektor në disa raste pronarët nuk e respektojnë orarin e punës prej 40 orësh në javë.

“Kështu që paga që ata paraqesin në muaj është jashtëzakonisht e vogël në krahasim me orët e punës që realizojnë. Ky sektor vazhdimisht është përballur me probleme të ndryshe, pasi numri i vogël i inspektorëve në nivel vendi, në një mënyrë ka lejuar shkeljen e të drejtave të punëtorëve nga pronarët”, tha Ajdini.

Që prej përfundimit të luftës, Kosova është përballur me shkallë të lartë të papunësisë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 24.6 për qind ose mbi 120 mijë persona janë të papunë. Ndërkaq, të punësuar janë rreth 370 mijë persona. Pagat neto të shumicës së të punësuarve sillen nga 400 deri në 500 euro në muaj.

Qeveria i bën ftesë një pjese të qytetarëve: Aplikoni për punësim në ndërmarrje publike

Qeveria e Kosovës i ka ftuar qytetarët e interesuar nga komunitet pakicë që të aplikojnë në konkurset e hapura për disa pozita publike, shkruan Express.

Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate ka treguar edhe dokumentacionin që nevojitet për të aplikuar.

Afatet e konkurseve janë të hapura deri në qershor.

Komunikata e plotë e Qeverisë së Kosovës:

Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, inkurajon të gjithë të interesuarit nga komunitetet jo-shumicë, gratë dhe të interesuarit tjerë që të aplikojnë në konkurset e hapura për Ndërmarrjet Publike.

Në mbështetje të nenit 9 të Ligjit Nr. 05/L-120 për Trepçën, të nenit 15.6 të Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, si dhe nenit 8 paragrafi 1 i Ligjit Nr. 04/L-111 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, si dhe duke u bazuar në nenin 5 të Rregullave mbi Identifikimin e Kandidatëve për Drejtor të Bordeve të Ndërmarrjeve Publike dhe Metodologjinë e Vlerësimit, Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit ka shpallur konkurs për Anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Trepça Sh.A. 

Inkurajohen të gjithë të interesuarit nga komunitetet jo-shumicë, gratë dhe të interesuarit tjerë që do të përfaqësojnë interesat e Komunës ku Trepça Sh.A. vepron, që të aplikojnë në konkursin për anëtar të Bordit Mbikëqyrës të Trepça Sh.A.

Dokumentacioni i kërkuar sipas konkursit, duhet të jetë në pliko (zarf) të mbyllur ku shkruhet emri dhe mbiemri si dhe emri i Ndërmarrjes Publike në të cilën konkurron kandidati dhe të dorëzohen në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit, Ndërtesa e Qeverisë, kati i I-rë, zyra nr. 34.

Afati i konkursit është i hapur deri më datën 20 qershor 2021.

Poashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës inkurajon të gjithë të interesuarit nga komunitetet jo-shumicë, gratë dhe personat me nevoja të veçanta, të aplikojnë në konkursin e hapur për Drejtorë të Bordeve të Ndërmarrjeve Publike Qendrore për:

1.           Posta e Kosovës, Sh. A. (PK)  dhe 

2.           Kompania Rajonale e Ujësjellësit – Hidromorava-Sh. A.- Gjilan.

Dokumentacioni duhet të jetë në pliko (zarf) të mbyllur ku shkruhet emri dhe mbiemri si dhe emri i Ndërmarrjes Publike në të cilën konkurron kandidati dhe të dorëzohen në Sekretariatin Koordinues të Qeverisë, Ndërtesa e Qeverisë, kati i I-rë, zyra nr. P34.

Afati i konkursit është i hapur deri më 10 qershor 2021.

Vegëza me të gjitha informatat për konkurset e hapura: https://kryeministri-ks.net/dokumente/

Për informata shtesë të interesuarit/at mund të njoftohen përmes telefonit 038/200 14 400. 

Kosova kërkon nga Serbia kthimin e koleksionit të grabitur arkeologjik dhe etnologjik

Institucionet e kulturës bashkë me institucionet e larta shtetërore në Kosovë u kanë shkruar letër-kërkesë institucioneve serbe për kthimin e artefakteve kosovare “që vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kërkesa është bërë nga Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci i cili i është drejtuar me një letër Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve me kërkesën për kthimin e këtyre artefakteve.

“Në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës dua t’ju kujtoj obligimin e papërmbushur për kthimin e artefakteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnografik i Kosovës. Ndonëse të marra nga Kosova në fund të viteve 90-ta të shekullit të kaluar me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artefaktet tona vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në muzetë tuaja përkatëse”, ka shkruar Leci.

Kërkesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës përmes një letre përcjellëse, i dhanë mbështetje të plotë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Hajrulla Çeku dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ku thanë se institucionet e Kosovës do të ofrojnë gjithë mbështetjen e nevojshme Muzeut Kombëtar të Kosovës në përmbushjen e këtij qëllimi.

Gjithashtu, në letrën mbështetëse të dy ministrave, u mirëprit ideja e propozuar për të themeluar një grup të përbashkët pune mes muzeve të Kosovës dhe Serbisë, me prezencë profesionale ndërkombëtare për të hartuar një plan dhe mbikëqyrur procesin e kthimit të artefakteve në Kosovë.

“Kërkojmë përgjegjësi institucionale nga muzetë përkatëse në Beograd si dhe përgjegjësi politike nga qeveria në Beograd për të përmbushur një obligim ndërkombëtar. Njëherësh zotohemi se nuk do të ndalemi së vepruari deri në momentin e kthimit të të gjitha pjesëve të koleksionit përkatës në vendin tone”, shkruan në letrën e dy ministrave kosovarë.

Më vonë, ministri Çeku nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale tha se mbajtja e artefakteve nga ana e Serbisë, përbën qartë shkelje të marrëveshjes së UNESCO-s si dhe Planit të Ahtisarit.

“Më vjen keq që për më shumë se 20 vjet, në mënyrë të paligjshme ende 1.247 artefakte të Republikës së Kosovës mbahen në muzetë e Beogradit”, shkroi Çeku.

Ministria e Kulturës dhe Informacionit e Serbisë në një reagim ndaj letrave të dërguara nga pala kosovare, e cilësoi veprimin si “abuzim të kulturës” në mënyrë që të promovohet pavarësia e shpallur njëanshëm nga Kosova duke “sajuar legjitimitetin e rremë të institucioneve të pretenduara”.

Ajo tha se në letrat e dërguara nga Kosova janë vënë re falsifikime dhe shtrembërime ndërsa “kërkesat e institucioneve të përkohshme në Prishtinë janë ekskluzivisht në funksionin e largimit të vëmendjes nga rrezikimi i trashëgimisë kulturore dhe krijimi i iluzionit të kujdesit për trashëgiminë kulturore”.

Kurti synon të ndryshojë marrëveshjen për mënyrën e veprimit të FSK-së në veriun e vendit

Leonat Shehu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se synon të ndryshojë një marrëveshje të vitit 2013 midis ish kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, që ka të bëjë me mënyrën e veprimit të Forcës së Sigurisë në veriun e vendit.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati në parlamentin e Kosovës i pyetur nga deputetët nëse kjo çështje ishte shtruar për diskutim gjatë vizitës së tij në selinë e NATO-s ku më 20 prill ishte takuar me Sekretarin aktual të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Kryeministrin Kurti në mandatin e parë si kryeministër në muajin shkurt të vitit të kaluar shpalosi një letërkëmbim të muajit prill të vitit 2013 ndërmjet ish sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe ish kryeministrit Thaçi, në të cilin zoti Thaçi zotohej se Forca e Sigurisë së Kosovës do të nuk do të hyjë në veriun e banuar me shumicë serbe “pa një pajtim paraprak” të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Po ashtu sipas letërkëmbimit, për të siguruar pajtimin, forcat paqeruajtëse mund të këshillohen me komunitetin në veri.

Kryeministri Albin Kurti tha se kjo është e dëmshme dhe duhet të ndryshohet.

“Unë nuk kam akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së në lidhje me atë shkëmbim të letrave dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij, por kam akuzuar titullarin e atëhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës që ka vënë firmën në një shkresë të tillë. Një problematikë që i ka rrënjët 8 vite më parë nuk mund të adresohet e rregullohet përmes një takimi të vetëm që ishte edhe takimi im i parë në selinë qendrore të NATO-s. Atëherë e kam referuar çështjen në prokurori dhe tash çështja i mbetet prokurorisë për trajtim”, tha ai.

Zoti Kurti të enjten u përball edhe me akuza nga opozita për deklaratën e tij në Bruksel se një nga vlerat të cilave duhet t’u përmbahet Ballkani Perëndimor për të përparuar më shpejtë drejt integrimeve është ballafaqimi me të kaluarën, që nënkupton largimin nga skena politike e institucionale të kriminelëve të luftës. Edhe më tej në rajon tha ai ka kriminelë të luftës edhe kriminelë të paqes që dominojnë në institucionet dhe partitë politike.

“Kam dy pyetje për kryeministrin. E para është a je i rekrutum prej shërbimeve serbe prej kohës sa je mbajtur në burg, pra a mban Serbia diçka mbi ty me të cilën të mban peng sot e kësaj dite, pra a është më në rrezik Kosova prej teje si i rekrutu nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit tënd në burg apo nga çlirimtarët që janë detyru me majt pushkën në dorë me luftu për lirinë e vendit duhet të deklarohesh sepse qarkullojnë gjatë këto edhe nga deklarimet e tua na bën me dyshu se mbahesh peng i shërbimeve serbe”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Është e rëndësishme që kryeministri të deklarohet dhe të sqarohet për deklarata të tilla se kush janë kriminelët e luftës që sot gjinden në institucionet e Republikës së Kosovës. A janë kriminel të luftës që dje ishin veteranë dhe dje luftuan për çlirimin dhe pavarësimin e këtij vendi”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri.

Aktualisht disa nga drejtuesit më të lartë të ish Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës ndodhen në Hagë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara të Koosovës që trajtojnë pretendimet për krime të luftës dhe pasluftës.

Gërvalla: Tërheqjet e ambasadorëve, një hap drejt reformimit të shërbimit diplomatik

RFE/RL

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë Donika Gërvalla, ka thënë të enjten se lirimet e fundit nga detyra të ambasadorëve të emëruar mbi baza politike, përbëjnë vetëm një hap në reformën e thellë që do t’i bëhet shërbimit diplomatik të Kosovës.

“Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikë është bërë në frymën e programit të miratuar qeveritar, i cili parasheh reformimin e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe respektimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ligjit për shërbimin e jashtëm të Kosovës”, ka thënë ajo përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social Facebook.

Sipas Gërvallës, ky vendim krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të jenë nga anëtarë të shërbimit të jashtëm të Kosovës.

“Ky është vetëm një hap në reformën e thellë të shërbimit diplomatik të Kosovës. Ai do të pasohet nga vendimet tjera në nivelin strukturor të ministrisë dhe do të mbështetet nga legjislacioni i ri, i cili do të ristrukturojë shërbimin diplomatik sipas standardeve ndërkombëtare”, ka thënë mes tjerash ajo.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu ka miratuar më 19 maj, propozimin e Qeverisë së Kosovës për lirim të këyre ambasadorëve.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Bekim Kupina, nga Zyra për informim e Presidencës së Kosovës.

Largimin nga pozita e ambasadorit, e ka konfirmuar edhe Hajdin Abazi, ambasadori i Kosovës në Australi, përmes një postimi në Facebook të enjten.

“Në ditën që bëra fiks dy vjet nga prezantimi i kredencialeve në Australi, nga Presidentja e Kosovës më erdhi Dekreti për lirimin nga detyra”, ka shkruar ai, duke shtuar se kërkesa e Qeverisë për lirimin e tij në gjysmë të mandatit “nuk është praktikë e dinjitetshme në diplomaci”, ka shkruar Abazi.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se bëhet fjalë për largimin e 12 ambasadorëve.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, propozimin e Qeverisë së Kosovës për lirimin nga detyra të të gjithë ambasadorëve të Kosovës të emëruar politikë, e ka konsideruar si suspendim të politikës së jashtme të Kosovës.

Sipas tij, ky vendim përbën skandalin më të madh në politikën e jashtme.

Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve, duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë.

Procedurat ligjore për emërimin e ambasadorëve të rinj marrin kohë. Pas propozimit të Ministrisë së Jashtme, që bëhet në koordinim me kryeministrin, emrat për ambasadorë dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Ky komision pastaj i dërgon emrat në Presidencë, ku pason dekretimi nga ana e presidentit të Republikës. Por, procedura nuk përfundon me kaq.

Shteti pranues duhet të japë pëlqimin për ambasadorin e ri, procedurë kjo që mund të marrë disa muaj kohë.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga 5 vendet e BE-së e kthen perspektivën e saj në integrim evropian

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Polikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell ka marrë pjesë mbrëmë në darkën tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, para darkës së përbashkët kryeministri Kurti u takua me Përfaqësuesin e Lartë, Borrell, gjatë të cilit takim ai konfirmoi interesimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të përparuar drejt integrimit evropian.

Në një adresim të shkurtër para fillimit të darkës, kryeministri Kurti tha se Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe progresit që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se ai duhet të mbrohet me çdo kusht.

Ai shtoi se me miqtë dhe kolegët e palës kosovare në Bruksel, “duhet të diskutojmë për zbatimin e reformave në vendin tonë dhe në anën tjetër për nevojën për njohjen e Republikës së Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse, ashtu që perspektiva evropiane të kthehet në integrim evropian”.

Pas darkës, Kurti në deklarimin e tij para medieve tha se theksi i diskutimit ishte te raporti i Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe nevojën e afateve për avancimin sa më të shpejtë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian. Ndërsa theksi i tij ishte te nevoja për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës dhe investimeve në ekonomi, të cilat e zvogëlojnë emigrimin dhe e rrisin punësimin posaçërisht të të rinjve.

Darka tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor bëhet nën organizimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe shërben si mundësi e mirë për diskutim të përbashkët mbi zhvillimet në rajon, bashkëpunimin bileteral me BE-në dhe rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian.

Presidentja e Kosovës takon presidentin e Maqedonisë së Veriut

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ciklin e takimeve me disa nga presidentët e rajonit në kuadër të Samitit Brdo-Brijuni në Slloveni, e ka përmbyllur me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës (ZPRK), në këtë takim është bërë e ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror së shpejti do të mbahet një takim i përbashkët i qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve fqinje janë vlerësuar të mira, ndërkohë që të dy presidentët janë angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre, sidomos në sferën e shkëmbimit tregtar e ekonomik, arsimit, kulturës e turizmit”, njofton ZPRK.

Më tej, thuhet se presidenti Pendarovski e ka njoftuar homologen Osmani se shteti i tij do ta rrisë prezencën në kuadër të trupave të KFOR-it, teksa i ka dhënë mbështetje liberalizimit të vizave, rrugës evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimit në NATO.

Presidentja Osmani dhe presidenti Pendarovski kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve në rajon, duke theksuar se rajonit i nevojitet stabilitet.

Në vazhdën e takimeve në kuadër të Samitit të presidentëve të shteteve të rajonit Brdo-Brijuni, presidentja Osmani para takimit me presidentin Pendarovski është takuar edhe me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, me të cilin është diskutuar bashkëpunimi bilateral dhe rajonal, liberalizimin e vizave, rrugën evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimin në NATO.

Samiti i Brdo-Brijunit organizohet që nga viti 2013, me iniciativën e Sllovenisë dhe Kroacisë. Ky samit ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, duke përçuar mesazhin politik lidhur me aspiratën e përbashkët e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në Bashkimin Evropian (BE).

Shtëpi të prodhuara në Kosovë drejt tregut amerikan

Burim Goxhuli

Pas futjes në tregun gjerman, austriak dhe atë të Suedisë, një fabrikë nga Kosova që prodhon shtëpi me parafabrikate dhe miqësore për mjedisin synon tregun amerikan. Muajin e ardhshëm “Instabuild” do të marrë pjesë në një panair në shtetin e Teksasit, ku do të prezantohen disa modele shtëpish. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, pronari i fabrikës, Mentor Pllana, thotë se këto lloj shtëpish janë të favorshme për planetin Tokë.

Katër modele shtëpish modulare dhe ekologjike të prodhuara në fabrikën “Instabuild” në Kosovë, nga mesi i qershorit do të ekspozohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes panairit në Austin të Teksasit kompania me përvojë në ndërtimtarinë e Kosovës, pret që të zgjerojë aktivitetin përtej oqeanit.

“Është e lehtë që prej Evropës ose Amerikës të vish në Kosovë por është e vështirë prej Kosovës të shkosh në Amerikë dhe Evropë me produkte dhe shërbime. Unë mendoj se ajo që ndodhi në Kosovë si liria, pavarësia dhe demokracia ishin të mjaftueshme për familjen tonë të mendojmë dhe të vijmë me diçka si kjo. Pra pas 20 vitesh me sukes të realizimit të projekteve dhe ndërtimit të komuniteteve në Kosovë, tani me fabrikën mundësohet që atë që krijuam për kaq vite në Kosovë ta sjellim si përvojë, si mënyrë e zgjedhjes së problemeve nga Kosova për botë”, tha Mentor Pllana, pronar i kompanisë së ndërtimit BP Home dhe fabrikës Instabuild.

“Instabuild” do të prezantojë në ShBA dy modele të shtëpive të stilit amerikan dhe dy plane tjera të shtëpive minimaliste.

Pronari i fabrikës thotë se është i kënaqur nga kërkesat në Gjermani, Austri dhe Suedi, ku shtëpitë e tij tashmë kanë hyrë në treg.

“Për momentin mund të them se kemi me dhjetëra porosi në procedurë, që nënkupton se brenda vitit 2021 besoj që do të arrijmë vetëm në Evropë shifrën deri te 100-110 shtëpi. Ndërsa tek pjesa e Amerikës kemi kërkesa për 650 shtëpi në pjesën e e Dallasit”, thotë ai.

Kërkesat për shtëpi miqësore me mjedisin kanë filluar të shtohen.

“Ndikimi global i këtij ndërtimi është në zvogëlimin e dioksidit të karbonit në atmosferë, deacidifikimin e oqeaneve… pjesa e ozonit në atmosferë”.

Zoti Pllana shton se një e veçantë e këtyre shtëpive është koha e shkurtër e prodhimit të tyre.

“Me 126 punëtorë për katër orë prodhohet një shtëpi. Duke mos llogaritur pjesën e transportit në vend të ngjarjes, ndërtimi kryhet për nëntë orë. Tetë ose nëntë orë e përfundojmë ndërtimin e vrazhdë. Ndërsa në mënyrë që ajo të jetë e banueshme siç po mundohemi të bëjmë në Amerikë me panairin, nëntë ose dhjetë ditë është e banueshme”.

Por këto shtëpi ende nuk gjejnë zbatim të madh në botë për shkak të mungesës së fleksibilitetit. Plani i ndërtimit të një shtëpie të tillë varet nga fabrika prodhuese duke pamundësuar përshtatjen e saj sipas kërkesave të konsumatorëve.

Zoti Pllana thotë se depërtimi i produkteve të tij në ShBA krijon mundësi edhe për biznese tjera vendore dhe ndihmon zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Nëse mund ta ilustroj me një shembull, nëse ne e ndërtojmë një shtëpi në Evropë ose Amerikë aty do të na duhen tetë dyer, nëntë dritare, pesë dhoma gjumi, e një kuzhinë. Pra ky do të jetë efekti anësor për zhvillim ekonomik dhe teknologjik të Kosovës”.

Tani që ka përfunduar të gjitha procedurat teknike dhe licencimin, sipërmarrrësi shpreson që të futet në tregun amerikan, vendin që ai thotë se e frymëzoi në ndërtimin e shumë lagjeve të njohura në Kosovë.

“Amerika është shembulli i ndërtimit të komuniteteve të standardizuara me rrugë, gjelbërim dhe aty lindi ideja që të ndërtojmë komunitete që t’u ngjasojmë komuniteteve perëndimore dhe të rregulluara”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Ai beson se në të ardhmen e afërt edhe Kosova do të përqafojë gjithnjë e më shumë ndërtimet ekologjike.

Qeveria e Kosovës: Izraeli ka të drejtë të vetëmbrohet nga sulmet e Hamasit

Konflikti mes Izraelit dhe Hamasit që prej disa ditësh është përshkallëzuar, kësisoj numri i viktimave po vazhdon të rritet, raporton Gazeta Express.

Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë e dhjetra shteteve të tjera iu është bashkuar edhe Kosova duke i dalë në mbrojtje Izraelit.

Nga kjo ministri përmes një postimi në Twitter kanë thënë se si çdo shtet edhe Izraeli ka të drejtën dhe detyrimin për të mbrojtur popullin e tij kundër 2 mijë raketave të qëlluara mbi civilët nga Hamasi.

“Si çdo shtet # Izraeli ka të drejtën dhe obligimin për të mbrojtur popullin e tij kundër 2000 raketave të qëlluara mbi civilët vetëm nga Hamasi, i cili po mban peng civilët palestinezë në luftën e tij. Ne vajtojmë të gjitha viktimat. Ne kërkojmë që të përmbahemi, të ndalojmë dhunën dhe të kërkojmë zgjidhje paqësore”, thuhet në shkrimin e kësaj ministrie.

Kujtojmë që luftimet midis forcave izraelite dhe palestineze u intensifikuan mbrëmjen e 11 majit.

Pas sulmeve masive me raketa nga Rripi i Gazës, ushtria izraelite përforcoi kundërsulmet e saj ndaj Hamasit.

Ditën e djeshme nga bombardimet e ushtrisë izraelite u shkatërruan në Rripin e Gazës disa ndërtesa.

LDK-ja mbështet fuqishëm ngritjen e një padie ndaj Serbisë për gjenocid

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se e mbështesin fuqishëm ngritjen e një padie nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë për gjenocid.

Në një konferencë për medie, të mbajtur nga Departamenti për Rend, Ligj dhe Siguri në LDK, Shkëmb Manaj, u përgjigj pyetjes së Ekonomia Online në lidhje me padinë ndaj Serbisë, duke thënë se për këtë proces duhet të përfshihet të gjithë mekanizmat profesional

“E mbështesim fuqishëm ngritjen e një padie ndaj Serbisë për gjenocid, por vlerësojmë që në këtë proces të gjitha institucionet e vendet, ekspertët ndërkombëtarë e vendor të angazhohen që kemi fakte të paraqesim që është kryer gjenocid në Kosovë”, u shpreh ai.

Ndërsa, zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi tha se për këtë çështje do të mbajnë konferencë të veçantë.

“Së shpejti do ta organizojmë konferencën për politiken e Jashtme dhe do të tregojmë kriteret tona, sepse padyshim që kemi një qëndrim”, u shpreh ajo.

Në Kosovë nis të mërkurën vaksinimi i personave mbi 65 vjeç

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi se të mërkurën, më 12 maj, do të nisë vaksinimi i personave mbi 65 vjeç kundër koronavirusit.

Në komunikatën për media thuhet se prioritet në imunizim do të kenë personat që janë regjistruar për vaksinim në platformën online e-kosova.

Sipas planit shtetëror, vaksinimi në Kosovë është ndarë në tri faza.

Personat 65-79 vjeç bëjnë pjesë në fazën e dytë, ashtu si edhe mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë, të përfshira në menaxhimin e pandemisë.

Në fazën e parë, që ka nisur në fund të marsit, janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç dhe personat me sëmundje kronike.

Në fazën e tretë, ndërkaq, pritet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë së Kosovës.

Kosova ka marrë dozat e para të vaksinës AstraZeneca – 24,000 sosh – në fund të marsit, përmes programit Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Këtë javë dhe javën e kaluar, vendi ka pranuar edhe dy kontingjente vaksinash Pfizer/BioNTech, me mbi 7,000 doza në total, si donacion nga Bashkimi Evropian.

BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, të cilat do të shpërndahen gradualisht.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka thënë të hënën se më 12 maj do të pranojë edhe 38,400 vaksina të tjera përmes programit Covax.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër koronavirusit dhe çdo dozë e siguruar deri më tash është donacion ose nga BE-ja, ose nga OBSH-ja.

Të martën, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arriti në 106,538, i viktimave në 2,213 dhe i të shëruarve në 98,223. rel

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla Schwarz denoncon kontot e rrejshme me emrin e saj në Instagram

Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla Schwarz denoncon në rrjetin social FB kontot e rrejshme me emrin e saj në Instagram si më poshtë:
“Kontot e rrejshme në emrin tim
Pasi nuk funksionuan sulmet e hapura, tani paska filluar beteja me fallsifikime kibernetike.
Asnjë nga lajmet e sotme nuk janë të vërteta. As nuk kam dhe as nuk kam pasur konto në Instagram.
Nuk kam publikuar asnjë, e lëre më 20 pika. Tashmë me këtë konto po merret Policia e Kosovës.
Një medium serioz para se ta publikojë lajmin, interesohet për burimin.
Kaq!”

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani: Në 21-vjetorin e vrasjes, kur drejtësia ende nuk është vënë në vend, ne e kujtojmë me përulje njeriun që la vepra!

Presidentja e Republikës të Kosovës Vjosa Osmani kujton 21 vjetorin e vrasjes të Komandant Drinit:
“Komandant Drini (Ekrem Rexha), ishte luftëtari i devotshëm i UÇK-së dhe çlirimtari me integritet,
i cili lirinë e kuptoi si themelin e shtetit. Ai sa bëri në luftë, bëri në paqe,
duke u shndërruar në modelin e njeriut që luftën për atdhe e bëri për të mirën e përgjithshme.
Në 21-vjetorin e vrasjes, kur drejtësia ende nuk është vënë në vend, ne e kujtojmë me përulje njeriun që la vepra,
të cilat do jenë udhërrëfyese dhe shembëlltyrë se si luftohet dhe si ndërtohet paqja e shteti.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për komandant Drinin!”
Këtu mbaron statusi i Presidentes të Republikës të Kosovës.
Më 8 maj 2000 ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’, qe vrarë para shtëpisë së vet në Prizren

Më 8 maj 2000 ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’, qe vrarë para shtëpisë së vet në Prizren. Kjo vrasje pati ndodhur në rrethana misterioze. Drejtësia vendore dhe ndërkombëtare, edhe pas angazhimit, ka dështuar për gjetjen e vrasësve të tij.

20 vjet pas vrasjes së tij, familjarët ende kërkojnë zbardhjen e vrasjes së “Drinit”. Ruzhdi Rexha, vëllai i “Drinit”, tregon se dëshira e familjes është që kjo vrasje të ndriçohet sa më shpejt. “Ne ua kemi lënë institucioneve të drejtësisë që ta zbardhin këtë vrasje”, thotë Rexha, shkruan “PrizrenPress”.

Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’, u vra para shtëpisë së vet në lagjen “Bazhdarhane”, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, sa po punonte drejtor për Emergjencë në Komunën e Prizrenit. Sapo kishte dalë në oborr ta ndezte veturën për të shkuar në punë dhe po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit e cila ishte shpuar qëllimisht, ishte qëlluar me armë automatike.
Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren, janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar. Procesi për ta zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje. Shkalla e Dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren që, siç është thënë, në mungesë provash liroi të akuzuarit.

Gjykata Speciale pritet ta rikthejë rastin e vrasjes së “Drinit”. Ajo në dhjetor të vitit 2018 ka ftuar dëshmitarin kryesor të këtij krimi, Remzi Shalën. Ai nuk i ishte përgjigjur ftesës. Në vitin 2002 Shala ishte dëshmitari kryesor në gjykimin e kësaj vrasje, ku i dyshuari kryesor kishte qenë një komandant, gjithashtu i njohur i luftës, Sali Veseli.

Shala gjatë luftës kishte bashkëvepruar me Veselin, ndërsa pas luftës ishte bërë shofer i tij. Pas vrasjes së komandant “Drinit”, Shala u bë dëshmitari kryesor kundër mikut dhe shefit të tij. Remzi Shala nga Suhareka u pat vetëdeklaruar se është ftuar nga Gjykata Speciale për të shkuar në Hagë.

Njëra nga vrasjet më misterioze që pati tronditur Prizrenin pas luftës ka qenë vrasja e komandantit të UÇK-së, Ekrem Rexha-‘Drini’.

Vëllai i “Drinit”, Ruzhdi Rexha, ka humbur besimin në drejtësi. “Në atë kohë ishte UNMIK-u. Edhe pse i mbajti dy procese, dështoi në zbardhjen e vrasjes së ‘Drinit’. Ne jemi djegur dhe nuk e di a mund t’i besojmë më profesionalizimit të drejtësisë ndërkombëtare”, shprehet ai për “PrizrenPress”.

Ai thotë se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar dy herë në gjetjen e vrasësve të “Drinit”. “Ne kemi pasur dhe kemi dëshirë që kjo vrasje të zbardhet nga organet tona. Ne ua kemi lënë institucioneve të drejtësisë që ta zbardhin këtë vrasje. Për ne është e rëndësishme që të zbardhet vrasja, pavarësisht se kush e bënë, vendorë apo ndërkombëtarë“, shprehet ai.

 

Kurti: S’mund të kërkoj unë nga Kroacia garanci për krerët e UÇK-së, ata e kanë mbrojtjen, s’është shteti në gjyq

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë ku ka miratuar programin Qeverisë, ka folur për çështjen e përgatitjes së padisë për gjenocid ndaj Serbisë, atë  të dialogut me Serbinë dhe për punën e ofrimit të garancisë për krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Kurti ka paralajmëruar se do të bëhen përgatitje të mëdha për ta paditur Serbinë për gjenocid, dhe sipas kreut të ekzekutivit një rast i tillë nuk duhet të humbet.

“Kemi filluar punën për ngritjen e padisë për Serbinë. Do t’iu njoftojmë për këto përgatitje. Janë përgatitje gjigante, dhe një rast i tillë nuk guxon të humbet. Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, dhe kjo e Meriton një padi. Dhe Qeveria e ka obligim ndaj historisë dhe ndaj ardhmërisë sonë”, ka thënë Kurti.

Sa i përket dialogut, Kurti ka thënë se data e takimit të qershorit dhe temat ende s’janë caktuar, ndërkohë ka njoftuar se më 18 maj do të udhëtojë drejt Brukselit për një darkë pune me Josep Borellin.

“ Do të ketë një darkë pune me Përfaqësuesin e lartë të BE’së me Borellin më 18 maj. Takimi I 11 majit s’mbahet, sepse takimet mbahen kur pajtohen të gjithë. E kemi lënë që takimi I tillë të mbahet në muajin qershor. Por besoj se ditë përpara asaj date, do të njoftoheni të gjithë. Sa I përket temave të diskutimit, do të jenë të tilla për të cilat pajtohen palët. Do të bisedojmë edhe me partitë politike opozitare edhe në Kuvend ku jemi bashkë. Do të skanojmë edhe marrëveshjet e deritashme. Nuk jemi qeveri që zhvillon dialog me Serbinë, pa zhvilluar dialog në Kuvend”, ka sqaruar kryeministri Kurti.

I pyetur nga gazetarët për punën e shumë diskutuar të ofrimit të garancisë për mbrojtje në liri të krerëve të UÇK’së që po gjykohen në Hagë. Kurti ka thënë se Kosova s’mund të jetë si shtet i tretë meqë Specialja “është një këmbë në Kosovë e një këmbë jashtë Kosovës”.

Derisa ka thënë se si kryeministër s’mund as ti kërkojë Kroacisë ofrimin e garancisë për Gjykatën Speciale për mbrojtjen në liri të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Problemi me çështjen e garancisë është që Kosova nuk është shtet i tretë. Në Gushtin e 2015, argumenti kryesor pse duhej të votohet amendamenti 24 e që ne e kundërshtuam, ka qenë që nëse nuk e bëjmë ne, do të bëhet gjykatë ndërkombëtare. Ne e kemi ditur që nuk ishte ashtu. Ne e kishim të qartë që kjo Gjykatë nuk do të ishte krejtësisht jashtë Kosovës, por një këmbë jashtë e një këmbë brenda. Prandaj jemi në këtë situatë te pafavorshme, kur Kosovës me vendimin e gushtit i pamundësohet. Nuk mund të kërkojë unë garanci nga Kroacia. Ka një proces juridik. Ata që janë në burg. Nuk është shteti në gjyq. S’më takon mua që të marr këso hapash. Do të ishte gabim për shtetin”, ka theksuar ndër të tjera kryeministri.

Një fëmijë një vjeç vdes nga koronavirusi në Kosovë

Katër viktima – në mesin e tyre një fëmijë një vjeç – dhe 170 raste të reja me koronavirus u raportuan të premten në Kosovë.

Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, fëmija një vjeç ka vdekur në Prishtinë, ndërsa rastet e tjera të vdekjes janë regjistruar në komunat: Ferizaj, Mitrovicë dhe Podujevë.

Ramush Beiqi, mjek në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se viktima njëvjeçare ka qenë e hospitalizuar dy herë në këtë klinikë.

“Një fëmijë ka vdekur prej COVID-19 [sëmundjes që e shkakton koronavirusi]. Ai ka qenë i hospitalizuar te ne dy herë. Një herë për shkak të problemeve respiratore… Pas gjendjes stabile është lëshuar në shtëpi dhe pastaj prapë është pranuar në një gjendje shumë të rëndë, me shenja shumë të rënda të sëmundjes COVID-19. Përkundër të gjitha tentimeve që i ka bërë ekipi kujdestar, ai nuk ka arritur ta shpëtojë foshnjën dhe ajo ka vdekur”, tha Beiqi.

Beiqi tha se nuk ka informata nëse fëmija ka pasur edhe sëmundje të tjera.

Rreziku që fëmijët të sëmuren rëndë nga koronavirusi është më i vogël sesa te të rriturit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës tha në njoftimin ditor të premten se 170 rastet e reja me koronavirus, u konfirmuan pas testimit të 2,545 mostrave.

Shifra nënkupton që 6 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.

Kosova ka konfirmuar gjithsej 106,192 raste me koronavirus dhe 2,202 viktima.

Sipas IKSHPK-së, 97,057 pacientë janë shëruar nga koronavirusi – 389 prej tyre në 24 orët e fundit.

Aktualisht, raste aktive në Kosovë janë 6,933.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit në fund të muajit mars me 24,000 dozat e vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Këtë javë, vendi ka pranuar edhe mbi 4 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech si donacion nga Bashkimi Evropian.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës merr çmimin “Evropiani i Vitit 2021” nga Zyra e BE-së

Prishtinë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për nder të Ditës së Evropës ka ndarë çmimin e përvitshëm “Evropiani i Vitit 2021”, për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Përzgjedhja e fituesit nga pesë të nominuar sa ishin gjithsej në garë për këtë çmim, është bërë online me mbi 3000 votues, ku 1.729 nga ta votuan pro Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës.

Kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, Armend Shabani tha se i tërë populli i Kosovës e meriton çmimin “Evropiani i vitit” nga mënyra dhe dëshirat e tyre për t’u bashkuar dhe për të qenë pjesë e Evropës.

“Ne kemi marrë këtë mesazh që të jetë mesazh që ta vazhdojmë punën tonë dhe të rrisim kapacitetet tona dhe besojmë që edhe ky mesazh që do të transmetohet në vendet e BE-së, të jetë më shumë si një mesazh që do t’i përkrah të rinjtë, studentët, hulumtuesit dhe gjithë popullin e Kosovës”, theksoi Shabani.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se për të gjashtin vite me radhë, me rastin e Ditës së Evropës – 9 Majin, BE-ja ndan çmimin e evropianit të vitit për një individ/institucion që ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane në Kosovë gjatë vitit të kaluar.

Szunyog tha se për të ka qenë e vështirë të vendosë për më të mirin, megjithëse thotë se përzgjedhja e matematikanëve tregon mjaft shumë për potencialin e Kosovës.

“Jam shumë i kënaqur që publiku i Kosovës e pranoi këtë si temë të rëndësishme, një gjë që po ashtu mund t’i bëjë të rinjtë e Kosovës konkurrentë në botën e shkencës. Shohim njerëzit që shkojnë në universitetet më të mira të botës. Gjithashtu kam takuar disa njerëz që kanë bërë punë të teknologjisë informative dhe gjithë kjo tregon për të rinjtë e Kosovës se sa të aftë janë”, theksoi Szunyog.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se kosovarët po tregojnë rezultate të mëdha në shumë fusha. Ai tha se kosovarët deri më tash kanë befasuar Evropën me këngëtarë, artistë, regjisorë e sportistë, por tani edhe me matematicientë “gjë për të cilën besoj se Evropa e ka parë se çfarë potenciali ka në Kosovë”.

Promovimi i arsimit, shpërndarja e maskave falas, mbrojtja e mjedisit, çmimet e ndryshme në regji, bashkëpunimi me artistë përtej kufijve, thyerja e stereotipeve, janë disa nga temat me të cilat kanë marrë pjesë kandidatët/institucionet në këtë garë.

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës punon për ngritjen e kapaciteteve akademike në fushën e matematikës. Si rezultat i punës së tyre, në vitin 2020 Kosova ka fituar medalje të bronztë dhe të argjendtë në garën ndërkombëtare të matematikës.

Këtë vit, një grup prej gjashtë studentësh kanë përfaqësuar Kosovën në olimpiadën ndërkombëtare të matematikës. Po këtë vit, katër nxënëse kanë përfaqësuar vendin në olimpiadën evropiane të matematikës për vajza. Nxënës të kësaj shoqate sot janë edhe pjesë e universiteteve prestigjioze në botë.

Kosnett thotë se Administrata Biden e ka pranuar tërësisht Marrëveshjen e Uashingtonit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se janë të përkushtuar të mbështesin procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja.

Kosnett ka thënë se administrata e presidentit amerikan Joe Biden e ka shqyrtuar me kujdes punën e bërë nga administrata amerikane paraprake, dhe ka ardhur në përfundim se në to ka shumë pjesë të vlefshme.

I pyetur se a është marrëveshja e Washington-it bazë për vazhdimin e bisedimeve Kosovë-Serbi, Kosnett ka theksuar se administrata e Biden-it e ka përqafuar marrëveshjen.

“Administrata e Bidenit ka përqafuar marrëveshjen e Washingtonit tërësisht. Por kjo nuk do të thotë që kur Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë takohen nën patronazhin e BE-së, për të vazhduar përpara, ajo është skica e vetme për të biseduar…Ke elemente politikë që nuk janë diskutuar në atë marrëveshje”, deklaroi Kosnett në RTV 21.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, është deklaruar rreth dokumenteve të fundit që po qarkullojnë në media për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk e di kush i shkruan këto dokumente jozyrtare, por kushdo që po i shkruan me siguri gëzohet nga reagimi i tepruar”, ka thënë Kosnett.

Ai ka theksuar se as SHBA e as partnerët evropianë nuk kanë fare interesim për të nxitur apo shtyrë çfarëdo shkëmbimi territori në Kosovës te palët.

Ambasadori gjerman: Të papranueshme sulmet personale kundër ministres Gërvalla

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar pas përplasjeve që ndodhën sot në Kuvend mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Ambasadori gjerman përmes një cicërime në Twitter i ka dalë në mbrojtje ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, duke i konsideruar të papranueshme sulmet ndaj saj.

Po ashtu, ai i ka dënuar edhe zhvillimet e sotme në Kuvend, duke i quajtur si të papranueshme për një parlament.

“Skenat e sotme në Kuvend ishin të papranueshme për një Parlament. Unë gjithashtu i konsideroj të papranueshme sulmet personale kundër ministres Gërvalla”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Kujtojmë se një përplasje mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës.

Përplasja erdhi pas deklaratave të Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës për krerët e UÇK’së dhe Gjykatën Speciale.

Donika Gërvalla: Nuk kam qenë as nuk jam dëshmitare e Speciales

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla është pyetur sot nga gazetarët nëse është dëshmitare e Gjykatës Speciale, raporton Gazeta Express.

Shkurtimisht, Gërvalla ka thënë se nuk do që të keqpërdorë vizitën e homologut të saj kroat për të folur për këtë çështje, megjithatë, iu është përgjigjur gazetarëve.

 

Ajo tha se nuk ka qenë e as nuk është dëshmitare e Speciales.

“Për të mos e keqpërdorur vizitën e homologut, për të mos shpenzuar kohën e tij, një përgjigje shumë e shkurtër. Jo, as nuk kam qenë as nuk jam. Mendoj që është përgjigja e mjaftueshme”, tha Gërvalla.

Në drejtim të Gërvallës ditëve të fundit ka pasur shumë reagime, e kryeministrit Albin Kurti iu është kërkuar që ta shkarkojë të njejtën pasi që është kthyer në vëmendje një deklaratë që ajo e kishte bërë vite më parë për Specialen.

Kurti në anën tjetër ka reaguar duke i dalë në mbrojtje Gërvallës.

Mimoza Kusari – Lila i quan të papranueshme deklaratat e PDK-së për ministren Gërvalla

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila, i ka quajtur të papranueshme, ato që i ka cilësuar ofendime drejt ministres për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Qeverinë e Kosovës Donika Gërvalla.

Megjithatë, Kusari-Lila nuk ka pranuar të përmendë se për çfarë ofendime saktësisht e ka pasur fjalën, kur është deklaruar mbi ecurinë e seancës të së enjtes në Kuvendin e Kosovës.

“Sot ishim dëshmitarë të skenave joparlamentare, të papranueshme për një demokraci, për një vend në të cilin në parlament duhet të debatohet, diskutohet, mund edhe të mos pajtohemi natyrisht, kemi pozitë e opozitë, por jo edhe të fyhemi, shahemi e deri tek ofendimet dhe kërcënimët, të cilat sot u dëgjuan nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës”.

Ajo ka thënë se seanca nga fillimi ka nisur me tensione, përmes deklarimeve për tema jashtë rendit të ditës.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, janë përplasur me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci si dhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Incidentit i ka paraprirë një debat i ashpër në mes të deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri si dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Në fjalën e tij, deputeti Tahiri e ka quajtur ministren Gërvalla “përfaqësuese të Serbisë në Kosovë”.

Këto akuza, Tahiri i ka bërë bëri duke iu referuar një deklarate që Gërvalla e kishte dhënë në media vite më parë sa u takon Dhomave të Specializuara të Kosovës si dhe ish-krerëve të PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të cilët i kishte quajtur njerëz të krimit.

Replikat mes deputetit Tahiri dhe ministres Gërvalla shkaktuan fyerje dhe ofendime në mes të deputetëve të pushtetit dhe opozitës.

Kusari-Lila ka thënë se synimet për ndryshime të qëndrimeve për Gjykatën Speciale janë për keqardhje.

“Qasja që sot synohet të ndërrohet e vërteta, ajo çfarë ka ndodhur në vitin 2015, kush e promovoi, kush e votoi dhe kush e instaloi Gjykatën Speciale dhe se si sot përceptohet dhe deklarohen po të njëjtit, është për keqardhje”, ka thënë mes tjerash ajo.

Në momentin e largimit të deputetëve të PDK-së nga salla, deputetët Memli Krasniqi dhe Ardian Kastrati janë fjalosur me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.

Kusari-Lila ka thënë se ministri Peci ka reaguar si shenjë mbrojtjeje ndaj ministres Gërvalla.

Në këtë fjalosje është përfshirë edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci si dhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë Salih Zybën dhe Besim Muzaqin.

Para se të fillonte incidenti, seancën e kanë lëshuar edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi i është ndërprerë fjala shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashit.

Në seancën e 6 majit ishte planifikuar që mes tjerash, të shqyrtoheshin rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Përplasje rreth Gjykatës së Posaçme në parlamentin e Kosovës

VOA

Tensione deri në përplasje fizike, përshkuan debatin e sotëm në parlamentin e Kosovës rreth Gjykatës së Posaçme për krime lufte, me seli në Hagë, ndonëse kjo çështje nuk ishte në rend dite.

Tensionet u rritën pasi që ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, foli për kërkesat drejtuar asaj ditëve të fundit për dorëheqje, lidhur me deklarimet e mëhershme për çështjen e vrasjeve të pandriçuara të periudhës së pasluftës në Kosovë.

“Kjo Gjykatë Speciale në Hagë nuk është e instaluar nga Serbia, Gjykata Speciale në Hagë është instaluar nga ju. Pse është instaluar nga ju? Sepse ju jo vetëm që nuk i keni luftuar, nuk keni ndërmarr asgjë për dënimin dhe gjykimin e krimeve të pasluftës. Jo vetëm që asgjë nuk keni ndërmarr për gjykimin dhe dënimin e krimeve pasluftës por ju jeni munduar ta evitoni gjykimin e krimeve në Kosovë dhe ju jeni ata që në këtë formë e keni bërë të mundur Gjykatën Speciale”, tha ajo, duke theksuar se Gjykata e Posaçme është krijuar nga Partia Demokratike sa ishte në pushtet.

“Ju, pikërisht ju jeni përgjegjës që prijësit tuaj sot ndodhen në Hagë. Ju duke mohuar të vërtetën nuk do ta zgjidhni këtë çështje. Bëhuni serioz, bëhuni opozitë serioze dhe konfrontohuni me të vërtetën tuaj dhe mos i mashtroni votuesit tuaj”, tha ajo, duke nxitur reagimin e rreptë të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Është turp për ty, është marre për ty. Ti je përfaqësuese e Serbisë në Kosovë. Ti nuk më përfaqëson mu, ti je turpi më i madh. Sot nëse do të kishim një kryeministër përgjegjës, sot duhet me të shkarku, as edhe një minutë ti nuk duhesh të jesh ministre e jashtme. Ky është turpi më i madh që ndodh me këtë vend, prandaj i bëjmë thirrje kryeministrit që ti nuk mundesh të qëndrosh në këtë sallë, ti duhet me ec, ti nuk e përfaqëson qytetarin e Kosovës”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri.

Ndërsa deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, i kërkoi ministres Gërvalla të tregojë nëse është dëshmitare në Gjykatën e Posaçme.

“E kam thënë edhe në të kaluarën ka pas deputetë të Vetëvendosjes që kanë pagu dhe financu raporte kundër UÇK-së dhe tash po del edhe ministrja haptazi me atë narracion, jep dorëheqje nëse se ke atë guxim. E ftoj Albin Kurtin që të të shkarkojë sepse je turp për përfaqësimin tone”, tha ai.

Gjykata e Posaçme u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës, ndërsa themelimi i saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Ish udhëheqësit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi që u arrestuan në nëntor të vitit të shkuar, ndodhen në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Javën e kaluar Gjykata refuzoi kërkesat e tyre për t’u mbrojtur në gjendje të lirë, por në vendim u përmend fakti se ligji për themelimin e Gjykatës mundëson që një shtet i tretë, mund të ofrojë garanci për “të marrë dhe nëse është e nevojshme, të monitorojë një të dyshuar”.

Përgjatë debateve u tha se disa vende përfshirë Kroacinë kanë shprehur gatishmëri për të ofruar garanci të tilla.

Por, të mërkurën, presidenti kroat, Zoran Milanoviç, tha se nuk ka ofruar garanci për lirimin e përkohshëm të ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliç Radman, i cili po qëndron të enjten për një vizitë në Prishtinë, nuk e përmendi fare këtë çështje dhe në vend të çfarëdo garancie, Kosovës i ofroi 10 mijë vaksina dhuratë dhe zotimin për të kundërshtuar çdo ide për ndryshim kufijsh në Ballkan.

Kurti cakton objektivin: Vaksinimi nuk ndalet derisa të arrijmë 60% të popullsisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka caktuar objektivin e parë të vaksinimit duke deklaruar se kërkon vaksinimin e 60% të popullsisë.

Këtë deklarim Kurti e bëri para Varhelyi, teksa sot rifilloi sërish vaksinimi në Kosovë. Kurti premtoi se tashmë vaksinimi nuk ndalet deri në arritje të objektivit.

Nga ana tjetër BE sjell për herë të parë në Kosovë vaksina Pfizer, ashtu si në gjithë Ballkanin Perëndimor.

 

“Teksa jemi duke punuar çdo ditë të zvogëlojmë pandeminë, kjo sasi e parë e vaksinave Pfizer të dërguar nga BE përveç që është shpresëdhënëse na bënë mirënjohës për angazhimin e BE-së për Kosovën. Kjo simbolikë me shumë vlerë na jep besimin se rrugëtimi i jonë drejt BE është i mbushur me miq, ku sot do të veçoja shtetin austriak që ishte lehtësuese në këtë proces.

Sot po e rifillojmë me qëllim që të mos ndalemi deri sa të arrijmë vaksinimin e 60% të popullsisë. Qeveria është duke punuar vazhdimisht për sigurimin vaksinave. Le të triumfojmë në këtë betejë së bashku dhe sa më parë”,- tha Kurti.

Ministrja Haxhiu: Nuk ka kërkesë nga mbrojtja për t’iu ofruar garanci të akuzuarve në Hagë

Prishtinë

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se deri më tani nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga pala mbrojtëse e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët po akuzohen për krime lufte në Gjykatën Speciale në Hagë, për të ofruar garanci për mbrojtjen e tyre në liri, raporton Anadolu Agency (AA).

Haxhiu, në një diskutim të organizuar nga organizata “Lëvizja FOL”, tha se nëse do ta pranojnë një kërkesë të tillë, do ta diskutojnë me kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin qeveritar.

“Nuk është një çështje juridike, pra nuk është juridikisht e rregulluar. Por, të shohim nëse do të ketë kërkesa nga mbrojtja dhe pastaj pa dyshim që do ta shqyrtojmë si të tillë”, theksoi Haxhiu.

Duke folur për Gjykatën Speciale, ajo tha se partia e saj ka qenë që nga fillimi kundër formimit të saj dhe forcimit të institucioneve vendore për të sjellë drejtësi për krimet e luftës. Ajo tha se i bën përgjegjës ata që kanë votuar Gjykatën Speciale, pavarësisht kush janë ata “por, shumica e tyre janë nga opozita”.

Përkundër kërkesave që të akuzuarit në Hagë të mbrohen në liri, Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën duke mos marrë në konsideratë argumentet e ofruara nga mbrojtja e të akuzuarve.

Haxhiu ka folur edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Ajo tha se çështja e të pagjeturve mbetet një ndër sfidat kryesore në këtë proces të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Sfida më e madhe dhe kërkesa jonë që është urgjente, pa dyshim që është çështja e të pagjeturve. Për faktin se ju e dini se Kosova ka mbi 1.600 persona të pagjetur që Serbia ndonëse ka informacione për ta, nuk e njofton Republikën e Kosovës se ku janë”, potencoi Haxhiu.

Ministrja Haxhiu gjatë diskutimit tha se ndër prioritetet kryesore të ministrisë që ajo drejton është vetingu në drejtësi, adresimi i krimeve të luftës dhe adresimi i dhunës në familje.

Meha: Kosova po merr pjesë në stërvitjet e NATO-s me 330 ushtarë

Kosova po merr pjesë në stërvitjen ushtarake të NATO-s “Defender Europe 21” me 330 pjesëtarë, tha ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Meha.

“Pjesëmarrja jonë në ‘Defender Europe 21’ është 330 pjesëtarë dhe do të jetë një validim i kompanisë tonë. Kështu që, ne jemi pjesëmarrës në ‘Defender Europe 21’ dhe është kënaqësi të jemi aty”, tha Meha të mërkurën, teksa raportoi para Komisionit parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Më 29 prill, në Shqipëri NATO nisi stërvitjen “Defender Europe 21”, që është stërvitja me shkallën më të gjerë që është mbajtur në Ballkanin Perëndimor që nga Lufta e Dytë Botërore. Në këtë stërvitje po marrin pjesë mijëra forca nga Shtetet e Bashkuara.

Ato do të mbajnë stërvitje në gjashtë baza tokësore, detare dhe ajrore në Shqipëri deri më 10 qershor.

Ushtria e SHBA-së kryen stërvitje në Shqipëri 

 

Duke folur për operacionet jashtë vendit, ministri Meha tha se ato validojnë rrugën e Kosovës drejt aleancës së NATO-s. Ai paralajmëroi se shumë shpejt pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të marrin pjesë edhe në operacione të tjera.

“Sa i përket çështjeve operacionale jashtë vendit, kjo ka domethënie të madhe në rrugëtimin tonë drejt NATO-s. Së pari është Kuvajti, por jemi duke punuar edhe në drejtime të tjera, do të ju raportoj njëkohësisht. Kështu që shumë shpejt do të marrim pjesë edhe në operacione të tjera jashtë vendit”, tha Meha.

Në mars, një kontingjent i FSK-së u nis për në Kuvajt, që është misioni i parë jashtë vendit i kësaj force.

Vendimi për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit ishte marrë më 31 dhjetor, 2020.

Më 2018, përmes ndryshimeve ligjore ka nisur transformimi i mandatit të FSK-së në forca të armatosura.

Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Kosova s’mund të garantojë për lirimin me kusht të të akuzuarve të Hagës

Kosova nuk mund të shërbejë si garantuese për lirimin me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ngase garancia nuk kërkohet nga shteti amë, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë (Kosova) e as nga kryeministri i shtetit amë (Qeveria e Republikës së Kosovës), nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantuese, ashtu siç po raportohet”, tha Kryeziu në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Kryeziut, “gjyqtari Kai Ambos, në opinionin e tij të ndarë nga vendimi për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht, eksploron mundësinë që në të ardhmen ‘shtete të treta’ të mund të shërbejnë si garantues të mundshëm për ndonjë të akuzuar. Por Kosova nuk është ‘shtet i tretë’, sepse Gjykata është ligjërisht e Kosovës”.

Ai ka thënë se “krahasimet e Gjykatës Speciale me gjykata ndërkombëtare sikurse me Tribunalin e Hagës janë të paqëndrueshme, si në raport me vetë gjykatat – njëra vendore e tjetra ndërkombëtare – ashtu edhe në raport me personat/institucionet që kanë pasur mundësi të ofrojnë garanci”.

Ish-kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hysen Berisha, ditë më parë ka deklaruar në mediat lokale se Kroacia ka ofruar garanci për lirimin me kusht nga Gjykata Speciale, të krerëve të UÇK-së.

Edhe Bekim Kupina, këshilltar për media në presidencën e Kosovës, ka thënë se Kosova nuk konsiderohet dot “shtet i tretë”.

“Çështja e garancës është përmendur në mendimin e ndarë të njërit prej gjyqtarëve (Kai Ambos), por nuk është pranuar si opsion nga Paneli i Apelit të Dhomave të Specializuara. Për më tepër, në mendimin e ndarë, gjyqtari Kai Ambos qartë i referohet shtetit të tretë. Republika e Kosovës, me asnjë interpretim, nuk mund të konsiderohet shtet i tretë, sepse gjykata funksionon nën juridiksionin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kupina për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq ka demantuar shkrimet në media në Serbi se kinse ai i ka ofruar garanci Hagës për t’ia mundësuar ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të mbrohet në liri.

“Kjo është e pamundur, nuk mund të jap garanci të tillë sepse kjo nuk është kompetencë e imja”, ka thënë ai duke iu u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në qytetin kroat, Sisak.
Për çka akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Avdyli i del në mbrojtje Gërvallës: Po sulmoni një grua që la jetën në Gjermani për t’i shërbyer Kosovës

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli i ka dalë në mbrojtje kryediplomates së Kosovës, Donika Gërvallës pasi që  e njejta ka marrë shumë reagime për deklaratën që kishte bërë kohë më parë për Gjykatën Speciale, raporton Gazeta Express.

Avdyli në një shkrim në Facebook ka thënë se kjo deklaratë është nxjerrë nga konteksti dhe është bërë në rrethana tjera.

 

“Eksponentë të politikës e parapolitikës e shërbëtorë të pushteteve të kaluara , dje gjatë tërë ditës i bënë gjyqin publik, Zv KM dhe Ministres së PJ z.Donika Gërvalla, për një deklaratë të vjetër,të shkëputur, e nxjerrur nga konteksti dhe e thënë në rrethana krejt tjera. Ky gjyq publik më kujton regjimet e vjetra diktatoriale ku pasi identifikohej armiku popullit, dënohej pa gjyq që të diciplinoheshin masat popullore”, tha Avdyli.

Deputeti tutje, shton se Gërvalla la jetën e saj në Gjermani për t’i shërbyer Kosovës.

“Meqë këtyre eksponenteve nuk po ia mban të gjejnë armik te bashkësia ndërkombetare e liderët e atëhershem politik që bënin luftë me partitë e tyre për miratimin e gjykates speciale , po tentohet të gjindet objektivi me i lehtë një politikane të re femër, e cila çdo gjë la nga jeta saj në Gjermani për ti shërbyer Kosovës. Dhe ardhja saj ka ndodhur në vitin 2021 , jo në vitin 2015 kur u miratuan dhomat e specializuara. Kjo i bie që kur ske çka i bënë gomarit i bie samarit. Prandaj opinionit duhet ti servohet e vërteta , të gjitha veprimet e deklaratat e viteve 2014 e 2015 të liderëve tē atehershëm ,kur natë e ditë e arsyetonin formimin e Gjykatës speciale. Atëherë na thonin që Kosova rrezikohej nëse nuk formohet kjo gjykatë, se me të do pastrohet lufta e drejtë çlirimtare. Atëherë ,por jo tani, ata deputetë që svotuan Gjykatën speciale quheshin tradhëtarë, rrezikues të shtetësisë të Kosovës. Prandaj merruni me thelbin çështjes e ndodhur me 2015 e jo me deklaratat jashtë kontekstit kohor, me qëllim frikësimi e gjykimi publik, se kjo qasje është e padrejtë por edhe nuk iu shitet tash në vitin 2021. Drejtësia dhe e vërteta është një. Ska dy të vërteta edhe ajo e 2015 dhe kjo e 2021, por ka njerëz që manipulojnë me të vërtetën”, tha Avdyli.


Send this to a friend