Shefja e Grupit Parlamentar e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
RFE/RL
Shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se të gjitha partitë në Kosovë kanë shprehur kundërshtitë e tyre për iniciativën “Ballkani i Hapur” (Open Balkans), pasi sipas saj kjo nismë është e “dëmshme” për faktin se Serbia është bosht i kësaj iniciative.
“Për ne, absolutisht ka qenë një proces që prej fillimit nuk është mbështetur dhe e kemi konsideruar si një proces, e para paralel dhe e dyta të dëmshëm në momentin kur Serbia bëhet bosht i një iniciative, siç është rasti i ‘mini-Shengenit’ dhe (tani) ‘Open Balkans’”, tha Kusari-Lila të hënën në Prishtinë, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, që Kosova e ka kundërshtuar edhe më parë. Në këtë nismë, që është thënë se do të kontribuojë në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Kusari-Lila tha se kjo nismë s’mund ta ketë një emërtim të tillë, pasi kundërshtohet nga tri vende të Ballkanit Perëndimor.
“Konsiderojmë që shumë më shumë fokus duhet t’i jepet pengesave të deritashme që janë bërë sesa iluzioneve se mund të ndryshojë i njëjti shtet në raport me ne ose në raport me shtetet e tjera në Ballkan. Nuk jemi i vetmi shtet që refuzon ‘Open Balkans’. Prandaj, nuk mund të quhet si i tillë derisa tri nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e kundërshtojnë iniciativën”, tha Kusari-Lila.
Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Më 29 korrik 2021, kur iu ndryshua emri kësaj nisme, në një forum ekonomik të mbajtur në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative.
Në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ishte zotuar se do të bëhej pjesë e “mini-Shengenit”.
Në Kuvendin e Kosovës, më 6 gusht, nuk u miratua një rezolutë ku i kërkohej Qeverisë së Kosovës që të zbatonte Marrëveshjen e Uashingtonit. Gjatë votimit për këtë rezolutë – që sipas ligjeve në Kosovë, nuk janë detyruese, por shprehin vullnetin politik – deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan.
Nga Ambasada amerikane në Prishtinë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar integrimin ekonomik dhe i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga Albin Kurti, që t’i qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik.
Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se ushtria amerikane ishte dhe është garantuese kryesore e sigurisë së Kosovës.
“Gjithçka që është ndërtuar, zhvilluar dhe avancuar në sistemin e mbrojtjes, sigurisë në vendin tonë në përgjithësi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë se Kosovës, (FSK) në veçanti, i atribuohet rolit jetik dhe mbështetjes së pazëvendësueshme të SHBA-së dhe ushtrisë së saj”, ka thënë Mehaj gjatë një vizite që i bëri bazës ushtarake amerikane, “Bondsteel” në Kosovë, më 8 gusht.
Ushtarët amerikanë janë të angazhuar në kuadër të misionit paqëruajtës të NATO-s-, KFOR, në Kosovë.
Në maj të vitit 2021, trupat e FSK-së, së bashku me anëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovës së SHBA-së, u nisën në mision paqëruajtës në Kuvajt, që është misioni i parë jashtë vendit i kësaj force.
Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e FSK-së. Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej dhjetë vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.
Qeveria e Kosovës është zotuar që në vitin 2022 do të ndajë mbi 100 milionë euro për FSK-në.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të miratojnë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë.
Për rezolutën e propozuar nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës votuan 24 deputetë, ndërkaq 57 abstenuan. Ishin deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ata që abstenuan për miratimin e kësaj rezolute, ndërkaq në sallë ishin 83 deputetë.
Rezoluta ftonte Qeverinë e Kosovës të zbatonte këtë marrëveshje dhe të përgatiste një plan-veprim që do t’i dorëzohej kuvendit. Debati për këtë rezolutë ishte zhvilluar më 7 korrik.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar që presin nga Kosova dhe Serbia t’iu përmbahen detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Uashingtonit.
Përndryshe, rezolutat e miratuara nga kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.
Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin e raporteve ekonomike ndër të tjera, parasheh angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore.
Sipas marrëveshjes, Kosova zotohet të bëhet pjesë e nismës së “mini-Shengenit” apo siç njihet tani me termin “Ballkani i Hapur” që parasheh lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore në vendet e Ballkanit. Në këtë nismë bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Këtë inciativë është shprehur kundër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Dardan Nuhiu, drejtor i Njësisë së Inteligjencës Financiare, është shkarkuar sot pas audio-incizimeve të publikuara në media, në të cilat ai shfaqej duke treguar se si i ndikon personat e caktuar nëpër institucione dhe gjithashtu e ka në plan kapjen e sistemit medial në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Pas shqyrtimit të audioincizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, mori vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Në audio-incizimet, Nuhiu tregonte për forcën që ka te bizneset dhe politika dhe për skemën që ka përgatitur se si t’i marrë nën kontroll të gjitha.
Ndër të tjera ai, në një bisedë dëgjohet të thotë se për 2-3 vjet do të marrë nën kontroll disa media të forta dhe se do të realizojë planin e tij.
Një lajm tjetër i mirë që na vjen nga Kosova, të cilin e përshëndet menjëherë Sopranoja e famshme shqiptare Inva Mula. Është fjala për themelimin e Operas të Kosovës. Artistja e famshme ka një sensibilitet të veçantë për Kosovës pasi Artisti i shquar, Nderi i Kombit, Avni Mula, i jati i saj është me origjinë nga Gjakova!
Inva Mula ka reaguar menjëherë në rrjetin social, duke përshëndetur në mënyrë shumë të veçantë, duke falenderuar, sepse pa art dhe kulturë nuk ka komb:
“Themelimi i Operes se Kosovës eshtë lajmi me i bukur i këtyre momenteve qe po kalon bota !
Misioni i KFOR-it po ndihmon autoritetet e Kosovës në shuarjen e zjarreve, veçmas në Rugovë të Pejës.
Arton Konushevci
Në disa rajone të Kosovës, pjesët malore janë përfshirë nga zjarret, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Agjencisë së Menaxhimit Emergjencave, Nehat Koqinaj. Ai tha se zjarret po nisini nga fushat dhe ato po arrijnë deri te malet.
“Zjarre ka në rajonin e Prizrenit, Pejës, rajonin e Gjilanit, të Mitrovicës. Nuk e di saktë se cili rajon deri tash ka mbetur pa u prekur, veç rajonit të Prishtinës”, tha Koqinajt, duke shtuar se gjendja po shkon duke u rënduar.
“Temperaturat e larta janë duke i rritur dhe përshpejtuar zjarret, por faktori njeri është shkaktari”, tha Koqinaj.
Ministria e Punëve të Brendshme tha se vatra e cila për momentin është më serioze, është në fshatin Shtupeq të Pejës.
“Në të gjitha vatrat e zjarrit janë të angazhuara me kapacitet të plotë të gjitha institucionet përgjegjëse, të cilat po koordinohen nga Qendra Operative e MPB-së”, thuhet në një komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Koqinaj tha se në terren kanë dalë shumë ekipe që po punojnë për të shuar zjarret.
Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë e angazhuar me personel dhe pajisje në shuarjen e zjarreve.
Po ashtu, me helikopterë, misioni i KFOR -it është i angazhuar në shuarjen e zjarreve në zonë e Rugovës, në Komunën e Pejës.
“Helikopterët e KFOR-it po angazhohen në shuarjen e zjarreve të mëdha, që kanë shpërthyer në zonën e Rugovës, në perëndim të Kosovës. Institucionet e Kosovës, kanë kërkuar ndihmën e KFOR-it për të ndihmuar zjarrfikësit lokalë për të bllokuar zjarret që kanë shpërthyer, veçanërisht në zonat e paarritshme nga autoritetet kosovare”, thuhet në njoftimin e misionit të KFOR-it.
Në njoftim, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjenerali Günter Schöpf, citohet të këtë thënë se “pas vlerësimit të ndikimit të intervenimit të misionit, por gjithashtu edhe mundësisë së përhapjes së zjarrit, vendosi që të kryejë misionin përmes dy helikopterëve e Komandës së KFOR-it për Lindjen, që mund të mbledhin ujë dhe ta hedhin atë drejt në fjalë, kanë ofruar intervenim të menjëhershëm”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka ftuar qytetarët të kenë kujdes maksimal në ruajtjen e pyjeve, të natyrës dhe mjedisit.
Kjo ministri ka thënë se në kohën kur vendi po ballafaqohet me temperatura të larta, për fat të keq po shfaqet edhe një dukuri shqetësuese, me rrezikimin e jetës së njerëzve, pasoja ekonomike e dëme të mjedisit.
“Është fjala për paraqitjen e zjarreve, që po shfaqen gjithandej në Kosovë, nga të cilat janë duke u dëmtuar pyjet, tokat pyjore, por edhe sipërfaqe tjera rurale e urbane”, thuhet në njoftim.
Ministria e Bujqësisë ka ftuar të gjitha institucionet përgjegjëse duke filluar nga komunat, Njësitë Komunale të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, shërbimin e zjarrfikësve dhe policinë për koordinim të veprimeve, si dhe kujdes të shtuar në parandalimin e zjarreve dhe mobilizim në shuarjen e tyre.
Pyjet përbëjnë rreth 44.7 për qind të territorit të Republikës së Kosovës.
Zjarret në pyje, përveç masës drunore, rrezikojnë edhe florën dhe faunën e egër.
Sipas një analize nga organizata joqeveritare Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), gjatë këtij viti, krahasuar me vitin 2020, është rritur numri i ankesave dhe kërkesave për fillimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorëve të shtetit në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Këto dhe të gjetura të tjera u publikuan në një konferencë për media të premten në Prishtinë me temë “Mekanizmi disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve: Një reflektim mbi gjendjen aktuale” nga Drejtësia Sot, platformë e GLPS-së.
Rreze Hoxha-Zhuja nga Drejtësia Sot, tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka aprovuar të gjitha kërkesat për fillim të procedurës disiplinore ndaj prokurorëve të shtetit, për periudhën janar-qershor 2021, e më pas për të njëjtat ka krijuar Panele Hetimore, gjë të cilën ajo e konsideroi hap pozitiv.
“KPK mban një praktikë shumë të mirë të publikimit të vendimeve të marra nga Gjykata Supreme ndaj vendimeve disiplinore të ankimuara të KPK-së, duke ofruar kështu një pasqyrë të plotë dhe të qasshme për publikun. Një praktikë e tillë nuk është vërejtur nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku vendimet e marra nga Gjykata Supreme nuk janë të publikuara”, tha Hoxha-Zhuja.
Drejtësia Sot gjithashtu ka gjetur se ka zbrazëti juridike në Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, pasi siç tha Hoxha-Zhuja, ligji nuk parasheh dispozitë lidhur me ankesat kundrejt gjyqtarëve të Gjykatës Supreme që i drejtohen Kryetarit të Gjykatës Supreme.
Hoxha-Zhuja e vlerëson pozitive çështjen e inicimit dhe ankimit në procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ana e Institucionit të Avokatit të Popullit, pavarësisht që ligji që e rregullon veprimtarinë e këtij institucioni nuk ja njeh një kompetencë të tillë.
“Ligji aktual nuk ka përcaktuar qartë llojin e masës disiplinore që shqiptohet për secilën shkelje disiplinore ose në rastin e arritjes së marrëveshjes për pranimin e shkeljes disiplinore”, shtoi Hoxha-Zhuja.
Drejtësia Sot, duke u nisur nga të gjeturat e analizës ka ftuar Ministrinë e Drejtësisë që të bëjë ndryshim të ligjit për Avokatin e Popullit, në mënyrë që ky institucion të inkuadrohet edhe në kompetencat e Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor për “fillimin e procedurave disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe kompetencën për të ushtruar ankesë në Gjykata Supreme për raste individuale”.
Gjithashtu, Drejtësia Sot, konsideron se Ministria e Drejtësisë duhet të përcaktojë autoritetin kompetent tek i cili duhet paraqitur ankesat ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Supreme.
voal.ch – Driton Kuka, trajneri i Xhudos ka lindur në Peje me 15 shtator 1971.
Pas shpalljes të pavarësisë të Kosovës është trajneri me i suksesshëm në sportin kosovar.
Në klubin e xhudos Ippon nga Peja ka krijuar Kampionen Botërore për juniore Majlinda Kelmendin si dhe një numër te madh xhudistesh që tashmë kane prekur majat botërore në sportin Olimpik te judos.
Driton Kuka tashmë i takon elitës botërore të xhudos. Ai e ka shndërruar Kosovën në forcë botërore të sportit të xhudos.
Nxënësit e Kukës kanë tituj botërorë, evropianë dhe olimpike.
Një ndër xhudistet më të mira të karierës së tij është : Majlinda Kelmendi , i ka dy tituj të botës e një të Evropës për seniorë,
Nora Gjakova ka fituar medaljen e vetme të Kosovës në Lojërat Evropiane, Nora Gjakova ka fituar medaljen e vetme të Kosovës në Lojërat Evropiane, Nora Gjakova ka fituar medaljen e vetme të Kosovës në Lojërat Evropiane dhe sot më 26 Korrik Nora Gjakova fitoi medaljen e tretë olimpike në Olimpiadën botërore Tokio 2020 që po mbahet në Japoni, pas medaljes të artë olimpike të, Distria Krasniqi, të treja sportiste të trajnuara nga Driton Kuka.
Pra, Majlinda Kelmendi, Medalie e Artë Olimpike, Distria Krasniqi Medalje e Artë Olimpike dhe Nora Gjakova Medalje e Artë Olimpike, pra tre medalje të arta olimpike të Kosovës janë sportiste të trajnuara nga Driton Kuka!
Driton Kuka ka qenë kampion i 8 fishtë në te gjitha Grupmoshat i ish Jugosllavisë, Kampion Ballkanik, medalje e bronztë për të rinj në Evrope dhe medalje e bronzte në Kupa Botërore për te rritur në Hungari me 1991 dhe atëbotë siguroj normën Olimpike për Olimpiadën Barcelona 1992 por për shkak te politikes se Millosheviqit në Kosove u tërhoq nga reprezentacioni i ish Jugosllavisë dhe kështu u desh te mbes pa pjesëmarrje në evenimente te mëdha ndërkombëtare. Pas dështimit te marrjes se nje medalje olimpike në Lodra 2012 Driton Kuka nuk ndalet asnjë moment ai tani bëhet gati per lojërat olimpike Rio2016 ku edhe kishin siguruar normën olimpike Malinda Kelmendi dhe Nora Gjakova tani Driton Kuka ishte gati per te shkruar historinë e sportit kosovar me te nisur garat Majlinda dukej e pa ndalshme duke hedhur kundershtaret pa asnjë problem me të arritur ne finale ajo tashme kishte shkruar historine por qe nuk ishte e kenaqur me medalje te argjentë keshtë që në finale mposhti edhe garuesen italiane Oddete per të marrë medaljen e parë te artë olimpike per shtetin e Kosovës. Në anën tjetër Nora Gjakova kishte fituar luftën e parë por fatkeqsisht ishte lenduar gjate luftes kur me pas ne luften e dytë nuk mundi te luftunte 100% e saj dhe pesoi humbje.
Por lojrat olimpike që po mbahen në Tokoi ku Kosova rrëmbeu edhe dy medalje të arta, duke e çuar në tre medalje të arta të fituara nga Xhudistet e Kosovës të drejtuara nga Driton Kuka i cili bëhet treneri me i suksesshëm i të gjitha kohërave.
Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor e Bankës Botërore, Linda Van Gelder, pas negocimit tё suksesshëm, kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financimi shtesë”.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se “Qëllimi kryesor i marrëveshjes mbetet vazhdimësia e përgjigjes ndaj pandemisë përmes financimit për të mundësuar parandalimin, detektimin dhe reagimin ndaj COVID-19, si dhe për të ngritur kapacitetet e duhura në sistemet kombëtare të shëndetit publik”.
“Kjo marrëveshje kap vlerën totale prej 15 milionë euro dhe vjen si vazhdimësi e Marrëveshjes bazё, tё nënshkruar me datë 29 qershor 2020 me Bankën Botërore, e cila veçse kishte siguruar 46 milionë euro për menaxhim dhe reagim emergjent ndaj pandemisë.
Projekti do të mundësojë prokurimin e vaksinave kundër COVID-19, vaksinimin efektiv të popullatës, përmirësimin e sistemit të imunizimit, zhvillimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave mjekësore, prokurimin emergjent të barnave esenciale për trajtim të COVID-19 dhe të ngjashmeve, si dhe zhvillimin e strategjisë shëndetësore, mes tjerash”, thuhet në njoftim.
Rikujtojmë se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve poashtu ka përcaktuar masat për Ringjallje Ekonomike tё vendit tё cilat synojnë tё adresojnë vёshtirёsitё e shkaktuara nga pandemia COVID-19, ndёr tё tjera duke stabilizuar aktivitetin ekonomik nё Republikёn e Kosovёs.
Kryetari i Lidhjes Demokratike Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar veprimtarin Shaban Manaj, në 21 vjetorin e vdekjes së tij.
Abdixhiku ka thënë se Manaj ishte një personalitet i rrallë, i cili punoi fort krah presidentit Ibrahim Rugova, por rrugëtimin e nisur e ndali dora vrastare e atyre që nuk ia deshën të mirën Kosovës.
“Në korrikun e vitit 2000, në fillet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, u shua një pishtar i këtij rrugëtimi. Veprimtari, atdhetari e avokati i shquar Shaban Manaj, u privua mizorisht nga jeta, që edhe sot e kësaj dite mbetet mister. Shaban Manaj, ishte një personalitet i rrallë, punoi fort krah Presidentit Rugova, por rrugëtimin e nisur e ndali dora vrastare e atyre që nuk ia deshën të mirën Kosovës. Shaban Manaj me të drejtë për kontributin e tij për shtetin e Kosovës u dekorua me urdhrin e lartë shtetëror, ‘Hero i Kosovës’”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas tij, është obligim moral e ligjor i organeve kompetente të zbulojnë të gjitha vrasjet e të gjithë veprimtarëve që dhanë kontribut në lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Familjarët dhe bashkëpunëtorët e Shaban Manajt nuk mund të jenë asnjëherë të qetë pa zbardhjen e motivit dhe rrethanave të vrasjes së tij si dhe dënimin e atyre që kryen këtë akt barbar, ndërsa është obligim moral e ligjor i organeve kompetente të zbulojnë të gjitha vrasjet e të gjithë veprimtarëve që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës së Heroit Shaban Manaj”, ka përfunduar ai.
Avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk janë pajtuar në seancën e sotme paragjyqësore që këta të fundit ta bëjnë dhe ta dorëzojnë një listë të dëshmitarëve të cilët mendon t’i përdor në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, raporton Gazeta Express.
Luka Mishetiq, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi tha se Prokuroria duhet t’ua japë këtë listë, në mënyrë që ekipet mbrojtëse të përgatiten për gjykimin.
“Për cilët dëshmitarë kërkon t’i thërrasë në gjykim dhe cilët nuk do t’i thërrasë. Kemi dëshmitarë për të cilët ZPS-ja ka marrë deklaratë dhe mendoj se ata do të dëshmojnë. Ne kemi nevojë që të vendosim përparësi në përgatitjet tona, dhe këtë e bëjmë duke e ditur se cilët dëshmitarë do të dëshmojnë në sallë. Prandaj, kërkojmë që Prokuroria ta bëjë një listë”, tha avokati Mishetiq.
Me këtë u pajtua edhe David Young, avokat i Rexhep Selimit, si dhe mbrojtësit e Kadri Veselit e Jakup Krasniqit.
“Unë do të thosha thjesht se e mbështesim kërkesën e ngritur nga avokati i Z. Thaçi”, tha Nick Kaufman, avokat i Kadri Veselit.
Ndërsa një prokurore nga Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se kërkesa e mbrojtësve të ish-krerëve të UÇK-së është “jashtë kontekstit”.
“Kjo kërkesë nga mbrojtja është komplet jashtë kontekstit dhe pa pasur parasysh veçantitë e çështjes sonë gjyqësore”, tha ajo.
“Koncepti i listës paraprake të dëshmitarëve është element që duket se mbrojtja e ka marrë në një çështje të paraqitur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Lista paraprake e dëshmitarëve publikohet në rrethana shumë të veçanta, me udhëzime shumë të rrepta. Nuk jemi në ato rrethana. Kjo nuk është rrethanë të cilën e shohim në procesin tonë”, tha prokurorja.
Ajo shtoi se Prokuroria do t’i nxjerrë materialet e dëshmitarëve të cilat do t’i përdor në gjykim.
Në kundërpërgjigjje, avokati Luka Mishetiq tha se “Nuk shoh asnjë arsye se pse e kanë kaq të vështirë Prokuroria ta bëjë këtë (listën).
“Pse kërkohen kaq shumë burime për ta bërë një listë të tillë? Ne e shikojmë që ata kanë nxjerrë materiale, por ato nuk na tregojnë se cilët do të vijnë të dëshmojnë dhe cilët nuk do të japin dëshmi. Derisa të na japin një arsye të fortë se pse nuk na japin këtë listë, ne do të vazhdojmë ta kërkojmë atë”, tha avokati amerikano-kroat.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në prag të Festës së Kurban Bajramit, uroi besimtarët myslimanë për këtë festë dhe ftoi qytetarët që të kenë kujdes dhe të respektojnë masat kundër koronavirusit, pasi siç u shpreh, “virusi është ende në mesin tonë”.
Myftiu Tërnava tha se Kurban Bajrami karakterizohet me therjen e kurbanit dhe kryerjen e Haxhit, por për këtë të fundit, tha se shpreson që vitin e ardhshëm, besimtarët të kenë mundësi të shkojnë në Mekë dhe Medinë që të kryejnë këtë kusht të Islamit.
“Fatkeqësisht edhe këtë vit, besimtarëve tanë, për shkak të gjendjes pandemike nuk u është mundësuar që të udhëtojnë drejt vendeve të bekuara të Mekës dhe Medinës, mirëpo shpirtërisht e ndiejmë aromën e atyre vendeve dhe mbetemi me shpresë që vitin tjetër të jemi atje për t’iu lutur krijuesit të gjithësisë”, tha ai.
Sipas myftiut Tërnava, Festa e Kurban Bajramit në themele të saja ka sakrificën, barazinë, solidaritetin dhe mirësinë.
Në Arabinë Saudite, besimtarët myslimanë, të vaksinuar kundër koronavirusit, janë lejuar që të marrin pjesë në pelegrinazhin vjetor të Haxhit. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, as këtë vit u lejuan që besimtarët e huaj të marrin pjesë në këtë ceremoni.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, tha të premten se ndërtimi i vendbanimit “Lugina e Diellit” në Komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, është i paligjshëm.
Ky projket financohet nga Serbia.
“Ajo çka ka ndodhur në veri, me aq sa kemi ne informacion, i bie që as me planet urbane të Serbisë nuk është… Pra, zhvillimi në Luginën e Diellit konsiderohet si ndërtim pa leje sa u përket institucioneve të Republikës së Kosovës, por nuk ka asnjë informacion që ekziston çfarëdo leje ndërtimore, respektivisht çfarëdo lloj plani hapësinor, që është respektuar për ndërtimin e tij. Prandaj, mund të themi se në tërësi është një veprim i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me çfarëdo ligji”, tha Aliu në një seancë të Kuvendit të Kosovës.
Shteti i Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe janë në përfundim të ndërtimit të lagjes “Lugina e Diellit” në Komunën e Zveçanit, e cila është e banuar me shumicë serbe.
Në një sipërfaqe prej 15 hektarësh tokë janë 300 njësi banesore të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb.
Është raportuar se projekti kap vlerën prej 14 milionë eurosh.
Aliu tha se në bazë të informacioneve të disponueshme, Ministria e Mjedisit e Kosovës ka dërguar në vitin 2016 inspektorët e saj, për të kërkuar një raport nga Komuna e Zveçanit, në lidhje me ndërtimin e vendbanimit.
Por, atëbotë, shtoi ai, askush nga ajo komunë nuk ka pranuar t’i japë përgjigje inspektoratit.
Pas kësaj, Aliu tha se Ministria e Mjedisit ka ngritur padi kundërvajtëse ndaj drejtores së urbanizmit në Komunën e Zveçanit.
“Pas kësaj padie, dy vjet më vonë, gjykata e ka shfuqizuar atë, për faktin se kanë kaluar dy vjet dhe padia është parashtruar”, tha Aliu.
“Tani në dokumentacione, në aspektin gjyqësor, situata është krejtësisht e mbyllur, sa i përket Ministrisë karshi Komunës së Zveçanit”, theksoi Aliu.
Aliu tha se Ministria që drejton ai, ka 38 të punësuar në veri të Kosovës, ndërsa në kuadër të Inspektoratit të Ministrisë janë 12 punëtorë.
“Por, fatkeqësisht, raporte për gjendjen në veri në mënyrë zyrtare nuk ka”, tha Aliu.
Ai shtoi se Ministria e tij është duke punuar për t’i mbledhur të gjitha informatat për aktivitetet në veri të Kosovës dhe për punëtorët e kësaj Ministrie në veri dhe se ajo do ta informojë Kuvendin dhe Qeverinë më vonë.
“Se cilat do të jenë veprimet politike më pastaj për vendosjen e rendit, mbetet çeshtje politike që do të diskutohet këtu në Kuvend“, tha Aliu.
Marrëveshja për ndërtimin e vendbanimit “Lugina e Diellit” ishte nënshkruar në vitin 2015 nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe dhe organi i përkohshëm në Zveçan, që funksionon në kuadër të sistemit serb.
Në krye të këtij organi është Ivan Todosijeviq, ish-ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal të Qeverisë së Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë.
Vendbanimi është duke u ndërtuar që nga viti 2016.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një letër dërguar Komunës së Zveçanit, e cila e ka shpallur qytetar nderi më 14 korrik, ka thënë se “gjithçka që bëhet dhe ndërtohet, çdo gur në Luginën e Diellit është themeli ynë për të ardhmen në këto hapësira”.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, bashkë me drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë inspektuar kushtet, sfidat dhe mundësitë me të cilat do të priten këtë vit kosovarët që jetojnë jashtë Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja Gërvalla-Schwarz tha se për t’u uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve, institucionet kanë filluar përgatitjet e tyre që më herët.
Ajo u bëri thirrje për durim kosovarëve që vijnë për disa javë për pushim në Kosovë, nga vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian (BE) në situata jo të favorshme, kur ka radhë të gjata në komunikacion, apo në raste kur shërbimet nuk janë aq të shpejta për ta.
“Lusim gjithashtu të gjithë që me shumë kujdes të sillemi së bashku në komunikacion mirë në raport me njëri-tjetrin. Durimi, ndoshta ndonjëherë do të vihet në sprovë gjatë kësaj periudhe të ngjeshur sepse duhet imagjinuar se nëse presim mbi 1 milion qytetarë nga mërgata gjatë kësaj vere, për të bërë një krahasim banal është njësoj sikur të dërgosh 40 milionë gjermanë gjerman në Gjermani për një muaj ose gjashtë javë. Prandaj, ta shijojmë të gjithë së bashku këtë verë, ta shijojmë privilegjin që më në fund po takohemi të gjithë së bashku, përsëri”, tha ajo.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se policia gjatë periudhës paraprake ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe planet operacionale që të ketë një pritje sa më të mirë të mërgatës, njëkohësisht kalim të sigurt të kufirit pa pritje të gjata.
“Në aeroportin e Prishtinës vetëm gjatë dy javëve të kaluara, nga data 1 deri më sot, kemi pasur mbi 80 mijë pasagjerë të cilët kanë kaluar nëpër kontrollet e Policisë së Kosovës, ndërsa kemi pasur mbi 30 mijë të cilët kanë shkuar jashtë Kosovës. Natyrisht që ky fluks është në rritje. Jemi në periudhën kur do të kemi edhe më shumë qarkullim dhe njerëz që vijnë në Kosovë. Policia është e përgatitur edhe në aspektin operacional dhe në aspektin e masave teknike”, tha ai.
Diaspora është konsideruar vazhdimisht nga autoritetet shtetërore si njëra nga shtyllat kryesore dhe më të forta të ekonomisë së Kosovës.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bëri të ditur se nga mostrat e ujit, të marra në Deçan më 12 korrik, janë identifikuar disa baktere që “mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm”.
Institucionet shëndetësore në Deçan, qysh në fundjavë, janë duke u përballur me fluks pacientësh, që raportojnë simptoma të helmimit.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetësisë në këtë komunë, mbi 1,500 persona kanë kërkuar ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit janë duke vazhduar, tha të enjten IKSHPK-ja.
“Ekipet e IKSHPK-së nga të gjitha rajonet e Kosovës vazhdojnë punën në terren, duke punuar intensivisht në gjetjen e shkakut të shpërthimit epidemik”, thuhet në komunikatë.
Një ditë më herët, ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, tha se disa mostra të pacientëve të helmuar në Deçan do të testohen jashtë Kosovës.
Deçani furnizohet me ujë nga ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”.
“Hidrodrini” furnizon me ujë edhe komunat: Pejë, Istog, Klinë dhe Junik.
Ish-deputeti i PDK-së, Andin Hoti, djali i veprimtarit shqiptar, Ukshin Hoti, është emëruar kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë në çështjen e personave të zhdukur.
Para pak ditësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e emëroi Hotin në pozitën e kryesuesit të Komisionit Qendror për Persona të Zhdukur.
Përmes një njoftimi për media, zyra e kryeministrit tha se “obligim i yni si Qeveri që të bëjmë më të mirën e mundshme për t’ua zbutur këtë gjendje duke u angazhuar më shumë për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre”.
“Çështja e personave të zhdukur është një nga çështjet prioritare të Qeverisë së Kosovës, dhe emërimi i sotëm tregon që kjo temë shkon përtej politikës. Dhimbja dhe ankthi me të cilën familjet përballen që 23 vite, rritet çdo ditë e më shumë. Për Qeverinë e Kosovës është e rëndësishme që të kemi një front të përbashkuar karshi Serbisë, në kërkesat tona për ballafaqim me të kaluarën”, është thënë një në njoftim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka takuar sot ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. Kurti ka kërkuar që dy vendet t’i forcojnë marrëdhëniet bilaterale, duke i kërkuar Greqisë që ta njohë Kosovën, raporton Express,
Zyra e Kryeministrit ka thënë se Kurti ia ka përmendur kryediplomatit grek rëndësinë që ka përkrahja e Greqisë për Kosovën edhe në çështrjen e liberalizimit të vizave.
“Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet bilaterale për shkak të lidhjeve të gjata historike dhe qëllimit të përbashkët për një të ardhme më të mirë në Ballkan, ka thënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në Athinë. Duke e vlerësuar rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës, kryeministri Kurti tha se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në rajon. Kryeministri theksoi edhe rëndësinë që ka përkrahja e shtetit grek për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatën e ZKM-së
Sipas Zyrës së Kurtit, kryediplomati grek ka thënë se Greqia është e interesuar t’i forcojë marrëdhëniet me Kosovën dhe ta ndihmojë Kosovën në liberalizimin e vizave.
“Ministri i Jashtëm grek tha se duke pasur parasysh historinë dhe gjeografinë e përbashkët të rajonit Greqia është shumë e interesuar të forcojë marrëdhëniet bilaterale me Kosovën. Ai shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit grek për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dhe për investime të reja në Kosovë. Ministri Dendias tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën europiane dhe euro-atlantike”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Në takim u diskutua po ashtu edhe për zhvillimet politike dhe projektet energjetike rajonale.
Spanja nuk e njeh Kosovën, por kjo i shkakton probleme të konsiderueshme Madridit zyrtar, tha ambasadori spanjoll në Beograd, Raul Bartolome Molina, transmeton Gazeta Express.
Në një intervistë për Novostin e Serbisë, Molina tha se pozicioni i Spanjës në lidhje me Kosovën është politikë zyrtare shtetërore.
“Mosnjohja e Kosovës bazohet në respektimin e rreptë të së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve themelore të saj, siç është respektimi i integritetit territorial, të cilat janë shkelur”, tha Molina.
I pyetur nëse Spanjës po i ushtrohet presion për ta ndryshuar pozicionin e saj, Molina mohoi, duke thënë se qëndrimi i këtij shteti nuk është kapriçioz dhe arbitra.
“Megjithatë, është e vërtetë që mosnjohja shkakton probleme të konsiderueshme për Spanjën, veçanërisht në kontekstin e organizatave ndërkombëtare”, theksoi ai.
Kur u pyet për t’i komentuar spekulimet e fundit se Spanja e ka në plan të hapë zyrë ndërlidhëse në Prishtinë, Molina deklaroi se kjo nuk do të supozonte ndryshimin e pozicionit spanjoll.
Të paktën 428 pacientë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma të helmimit. Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.
Marramendje e të vjella i kapluan edhe gjashtë anëtarë të familjes Lushaj nga fshati Shaptej në Deçan të dielën, më 11 korrik.
Shkumbin Lushaj thotë se uji në rubinetin e shtëpisë, që furnizohet nga ujësjellësi, nuk është i pastër tash e një javë, ndërsa që nga dita e shtunë, kanë vërejtur simptoma të lehta të helmimit.
“Kemi që disa ditë që uji nuk po vije normalisht i pastër, por është i turbulluar. Të shtunën në mbrëmje filluan disa prej simptomave, por nuk i mora si serioze. Ndërsa të dielën filloi marramendja, vjellja, diarreja… të cilat përveç meje i prekën edhe të gjithë anëtarët e familjes time”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Lushaj është njëri ndër qindra banorë të disa fshatrave në Deçan, që përjetuan simptoma të ngjashme, duke ngritur alarmin te stafi mjekësor në QKMF.
Sipas të dhënave zyrtare, shqetësime u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.
Edhe Zenel Kadrijaj nga fshati Rastavicë, tregoi për Radion Evropa e Lirë se ditëve të fundit, kishin vërejtur ndryshime në dukjen e ujit të pijes.
“Tek uji e kemi vërejtur që e ka pasur ngjyrën më të mbyllur dhe një natë më pas ka pasur sasi të madhe të klorit”, tha ai.
Kadrijaj tha se bashkëshortja dhe vajza e tij përjetuan simptoma më të rënda nga helmimi.
Ujësjellësi ndërpreu ujin deri në publikimin e rezultateve të testimit
Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan që nga dita e shtunë, ngrehu alarmin për numër të pazakontë të pacientëve, me simptoma të ngjashme.
Drejtori i kësaj qendre, Selmon Berisha tha për Radion Evropa e Lirë se pasi e kishin lajmëruar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ata erdhën dhe morën mostrat e ujit për të bërë analizën kimike dhe biologjike.
“Analizat kimike ka rezultuar në rregull ndërsa analizat biologjike janë në përpunim e sipër. Po ashtu, gjatë gjithë kohës e kemi angazhuar laboratorin tonë dhe analizat e pacientëve rezultojnë që janë helmime bakteriologjike”, tha ai.
Deri sa rezultatet e analizave të fundit të këtij uji nuk kanë dalë ende, që nga e diela në mbrëmje, ujësjellësi rajonal “Hidrodrini” ka bërë ndërprerjen e furnizimit me ujë në zonat e dyshuara për helmim masiv.
Ndërkaq, drejtori Berisha tha se në koordinim edhe me organet e komunës, janë duke shqyrtuar të bëjnë apel që në të gjithë Deçanin të mos pihet uji deri sa të kuptohet nëse uji është shkaktar i helmimit.
Ujësjellësi “Hidrodrini” ka bërë apel për kujdes, por duke thënë se “deri në arritjen e rezultateve, nuk mund të konstatohet asgjë në zbardhjen e dyshimeve për ujë të helmuar ose jo”.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në një konferencë për media tha se janë duke bërë përpjekje maksimale për gjetjen e shkaqeve të këtij helmimi dhe deri më tani të gjitha dyshimet janë vetëm hipoteza.
Sipas tij, kanë dyshime edhe për një skemë të qëllimshme. Ai nuk elaboroi për këtë, por tha se duhet t’i lihet organeve të hetuesisë.
Sot para qeverisë së Kosovës është protestuar në mbështetje të ish-komandantëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, raporton Gazeta Express.
Ish-ushtarë të UÇK-së janë mbledhur sot për të protestuar duke mbajtur parulla me mbishkrimin “Unë jam veç një çlirimtar, kështu më deshi liria”.
Kjo protestë është organizuar nga Nuredin Gashi ish-pjesëtar i UÇK-së.
Ata kanë këruar lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e jakup Krasniqin duke bërë thirrje që edhe qeveria të reagojë për mbajtjen e tyre në paraburgim.
Parlamenti i Kosovës shkarkoi të enjten anëtarët e bordit drejtues të Radio Televizionit të Kosovës me propozim të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Kryetarja e këtij komisioni, Doarsa Kica-Xhelili, tha mes tjerash se viteve të fundit ka pasur tendencë për shpenzime të mëdha dhe rritje të pakontrolluar të numrit të punonjësve në transmetuesin publik, i cili financohet nga parlamenti i Kosovës.
Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje në pushtet thanë se është koha që RTK-ja “t’i shërbejë publikut e jo vetvetes”.
Kundër shkarkimit ishin partitë opozitare.
Anëtarët e derisotëm të bordit drejtues e cilësuan vendimin për shkarkim si “politik, kundërligjor dhe ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik”.
Në një reagim të përbashkët ata paralajmëruan veprime ligjore për ta kundërshtuar atë, që e cilësuan “vendim arbitrar”.
Bordi drejtues i televizionit publik sipas ligjit ka 11 anëtarë, që zgjidhen nga parlamenti i cili si themelues i tij “mbron autonominë institucionale dhe siguron financim adekuat për realizimin e misionit të shërbimit publik të RTK-së, të përcaktuar me këtë ligj”.
Gjatë deputetë të Kuvendit të Serbisë kanë vizituar sot kreun e Qeverisë së Kosovës në zyrën e tij në Prishtinë. Sipas një komunikatë të lëshuar nga zyra e Kurtit, thuhet se ata njohin pavarësinë e Kosovës dhe se përkrahin kreun e ekzekutivit, shkruan Gazeta Express.
“Gjashtë deputetë të Kuvendit Popullor të Serbisë e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Qeverinë Kurti. Z. Sylejman Ugljanin, kryetar i Partisë Aksioni Demokratik i Sanxhakut, z.Shaip Kamberi, shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”, deputetët z.Enis Imamoviq, znj.Nadije Beqiri, z.Mirsad Hodzhiq, z.Argjend Bajrami, z.Selma Kuçeviq, ia shprehën gjithë përkrahjen e tyre Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin që patën sot në zyrën e tij në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
“Kryetari i SDA, z. Sulejman Ugljanin e falënderoi kryeministrin Kurti për miratimin në Kuvendin e Kosovës të rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë. Ai tha se boshnjakët janë shumë mirënjohës që Kuvendi i Kosovës u rreshtua në anën e së drejtës dhe dënoi krimin më të madh në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur 8000 burra e djem boshnjakë u vranë e u masakruan në një ditë nga forcat serbe të sigurisë”, shton tutje njofitmi.
Ugljanin ka thënë se “deputetët e koalicionit “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak” e njohin pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Ai tha se e përkrahin kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës në angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve ju po mbroni edhe të drejtat e boshnjakëve, tha z. Ugljanin. Ai e vlerësoi qasjen e kryeministrit Kurti për vendosjen e reciprocitetit të të drejtave të pakicave kombëtare në Kosovë dhe në Serbi. Ky është ilaçi i zgjidhjes së problemeve të pakicave në Ballkan”.
“Deputetët e njoftuan kryeministrin Kurti për funksionimin e organeve ekzekutive të Këshillave nacionalë, ata thanë se Këshilli Nacional Boshnjak në Serbi i ka 35 anëtarë dhe 7 delegatë në bordin ekzekutiv. Ndërsa Asamblea e Këshillit Nacional Shqiptar i ka 15 anëtarë”, shton komunikata.
Kryeministri Kurti ka thënë se aktualisht gjysma e Sanxhakut ndodhet në NATO e gjysma jo, duke u bazuar në faktin që një pjesë e Sanxhakut ndodhet në Serbi e tjetra në Mal të Zi.
Kreu i Qeverisë ritheksoi se Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e përgjakshme dhe politika e Sllobodan Milosheviqit.
“Pa u distancuar dhe pa e bërë Serbia një introspeksion për të kaluarën e saj, nuk mund të ecet drejt të ardhmes dhe normalizimit të raporteve me Kosovën, tha kryeministri Kurti.
Ish-ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave me inicialet Dh.H., F.M., D.Sh., K.C., N.O, për veprën penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se bëhet fjalë për ish-ministren e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha, dhe katër të pandehur të tjerë: Fitim Mustafa, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani.
Hoxha, e cila vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë ministre në Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Disa nga emrat e të pandehurve përmenden në një hulumtim të rrjetit BIRN në Kosovë, ku thuhet se “në vitin 2019, Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i ka paguar 168,000 euro një kompanie lobimi me seli në Paris, që kishte promovuar idenë se ‘modifikimi i territorit’ mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi”.
Kjo ide, në të kaluarën, është promovuar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se ndryshimi i kufijve të Kosovës mund të ndodhë gjatë fazës së demarkacionit të kufirit me Serbinë.
Sipas Thaçit, korrigjimi do të përfshinte tri komunat me popullatë shqiptare në jug të Serbisë – Preshevën, Medvegjën e Bujanocin – në kuadër të Kosovës.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë një mbledhje të Qeverisë së Kosovës.
Ministri i Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës , Hekuran Murati ka bërë të ditur se mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe gjashtë bankave komerciale është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për emetimin e bonove të dedikuara për diasporën.
Vlera e këtyre bonove do të jetë 20 milionë euro.
Letrat me vlerë ose bono të thesarit lëshohen nga Ministria e Financave dhe Transfereve sa herë që qeveria ka nevojë për më shumë para. Këto letra janë borxh i qeverisë. Letrat me vlerë në Kosovë kryesisht blihen nga bankat komerciale.
Murati tha se maturitetit i bonove do të jetë trevjeçare dhe pesëvjeçare.
“Periudha e shitjes do të jetë e hapur nga 21 korrik deri më datën 18 gusht, kurse shitja përfundimtare do të bëhet më 20 gusht. Shuma totale që është paraparë është 20 milionë euro, por sipas rregullores, mund të rritet 50 për qind nëse ka kërkesë shtesë”, tha Murati.
Murati shtoi se bonot e thesarit dedikuar diasporës janë si letrat me vlerë, që do të thotë se investimi është i garantuar nga Kosova, kurse fitimi që gjenerohet është i liruar nga tatimi.
Emetimi i bonove të dedikuara diasporës, shtoi Murati, është parë edhe si instrument i cili e mobilizon kapitalin e diasporës që të investohet në projekte zhvillimore dhe jo vetëm të funksionojë si konsum.
Ai ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim do të bëhen shpalosje dhe shpjegime të detajuara për këto bono dedikuar diasporës.
Përgjatë viteve, mjetet e dërguara në Kosovë nga qytetarët e saj që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botë, në vit kanë qenë në mbi gjysmë miliard euro.
Për 13 vjet, Kosova ka pranuar afër nëntë miliardë euro remitenca.
Këto mjete paraqesin kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore në Kosovë. rel
Zoran Vukotiq u dënua sot me 10 vjet burgim, i akuzuar për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga gjykatat vendore. Edhe pse drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend.
Një grua rreth të pesëdhjetave, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas më shumë se dy dekadash u përball edhe një herë me njeriun që i shkaktoi vuajtje për tërë jetën.
Ajo çfarë i ndodhi iu bë barrë e përditshme, e rrëzoi, por nuk e la të dorëzohet. E lënduar, por ndjenjat nuk lejoi t’i dalin në pah dhe para agresorit e trupit gjykues arriti të thotë të vërtetën e tmerrshme që i ndodhi para 22 vitesh.
“Në momentin që ka hyrë në gjykatë, menjëherë e kam njohur, menjëherë. Nuk jam ndjerë kush e di sa mirë, por jam bërë shumë e fortë, më ka jep Zoti aq shumë forcë sa i kam dalë përballë me shumë krenari. Sa i përket kësaj, unë e di që nuk kam bërë marre diçka, por ajo ka qenë një krim që iu ka ndodhur shumë nënave dhe motrave tona, të cilat sot e asaj dite as nuk guxojnë me përmend. Shumë prej tyre edhe nuk janë, nuk ekzistojnë. Nuk e kanë pasur krejt fatin tim, që me përkrah bashkëshorti, apo dikush”, rrëfen ajo për KP.
B.K mezi merr frymë kur kujton ngjarjen. E kaluara e asaj ia vrau të përditshmen. Ajo rrëfen se si më shumë e deshi veten të vdekur se sa të gjallë.
“Kam filluar të qaj, por prapë se prapë e kam mbajtur veten, ajo krenaria që nuk kam dashur ai me më pa me lot, edhe të dijë ai që unë aq shumë po vuaj. Sa që ai ka provuar kinse po ndihem keq. Po unë asnjëherë nuk jam kthyer ta shikoj fytyrën e tij, të kriminelit, i cili më kujtohej sikur atë ditë, sikur para 21 viteve. Unë gjatë luftës kam qenë shtatzënë tremuajshe, në kohën kur më ka ndodhur akti. Pas përfundimit në shtator, i kam humbur dy djem. Edhe e di se më ka ardhur ajo fuqi aty edhe i kam thënë ‘unë i kam humb dy djem shkaku yt, por falë Zotit e kam një luan 20 vjeçar, mos mendo që ma ke tha shpirtin’”, vijon rrëfimin ajo.
Makthi i përjetuar i shfaqet në ëndrra, i kujtohet në mëngjes, në mbrëmje, në rrugë e në shtëpi. Ato nuk mund t’i heq nga koka. Më mirë nuk është as pas janarit, kur ajo u ballafaqua me personin i cili, siç thotë ajo, ia shkatërroi jetën. Gruaja afër të pesëdhjetave, lutet që të mos takohet asnjëherë më me Zoran Vukotiq, shtetasin serb, i cili akuzohet edhe për krime të tjera kundër njerëzimit.
“Më ka rikthyer qysh në kohën kur ka ndodhur rasti (e përmend datën) mu duk sikur atë ditë ndodhi. Për mua ka qenë shumë e rëndë, pastaj, por në atë moment jam bërë shumë e fortë, shumë jam bërë e fortë”, shprehet ajo.
Dita e 21 janarit të këtij viti, kur kjo e mbijetuar u përballë me dhunuesin në seancë gjyqësore, u konsiderua historike për organizatat që po merren me trajtimin e tyre tash e dy dekada.
“Më kujtohet momenti kur ka hyrë personi, i pandehuri për krimin e bërë, e mbijetuara ka filluar të bëjë lëvizje të pakoordinuara, kërcente sikur lepur. Unë mundohesha t’ia mbaja dorën, mundohesha që t’i qëndroja pranë, edhe ajo ka qenë qëllimi që të përkrah, por as unë nuk mbeta pa emocione. Ishte e pamundur, ajo rryma që u krijua mes të qenit mes të mbijetuarës edhe mes të dhunuarës, është emocion i pa përshkruar. Edhe të kthen tamam në ngjarjen e vitit ’99. Megjithatë edhe pse ishte emocionuese dhe mbi të gjitha unë dua ta ndaj me opinionin e gjerë që kemi të bëjmë me një grua që ka forcë të papërshkrueshme. Me arrit krejt atë lloj krimi që është ushtruar në trupin e saj, me arrit ta dokumentoj nuk është fare e lehtë. Ka qenë moment emocional, i ka bërë me lot komplet trupin e gjykatës edhe ne që kemi qenë prezent”, shton ajo.
Muajt e pranverës e kthejnë mbrapa në kohë dhe i kujtojnë ngjarjen që i solli dhembje të forta. Ajo kujton edhe ditën e ngjarjes për të cilën tha se nuk pati nevojë t’i tregojë asgjë familjes pasi dukej nga pamja e jashtme e saj që diçka e tmerrshme kishte ndodhur.
“Saktësisht prej datës (censuruar), kemi qëndruar pranë varrezave me datën (censuruar) atë ditë herët në mëngjes forcat serbe na dëbuan prej shtëpive. Na nxorën në fushën e varrezave në (censuruar). Atë ditë aty i kanë ndarë meshkujt, djemtë e rinj, vetëm gra, fëmijë e pleq i kanë lënë. Aty na kanë drejtuar në një lokal me i marrë disa kartonë. Na kanë bërë rresht aty, duke prit të hyjmë aty. Me të hyrë brenda, aty ka ndodhur më e keqja. Me datën (censuruar) jam takuar me bashkëshortin, ka qenë vetëm pas përfundimit të luftës. Unë prapë të njëjtën shtëpi, sepse aty e kisha familjen të vendosur. Nuk ka pasur nevojë të tregoj, se ka treguar vet pamja ime, e tmerrshme”, vijon rrëfimin ajo.
Ani pse shumë prej tyre nuk e thonë me zë, drejtësia po konsiderohet e shenjtë për të gjithë të mbijetuarit. Madje, publikisht para dy vitesh, Shyrete Tahiri-Sylejmani dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të kërkuar drejtësi për atë çfarë i kishte ndodhur.
“Drejtësia për mua ka një vlerë shumë të madhe. E dimë që me drejtësi të mbijetuarit e luftës, gratë, vajzat, burrat, djemtë do ta ndjejnë vetën shumë më lehtë. Do ta gjejmë një qetësi shpirtërore, shoqërore, ku shpresoj se do të vazhdojmë të jetojmë një jetë normale. Drejtësinë na kanë obligim institucionet të gjithë neve, e ne ua kemi obligim familjeve tona, fëmijëve tanë që edhe ata ta ndjejnë vetën të qetë që është gjetur drejtësi për nënat, baballarët, motrat dhe vëllezërit e tyre”, shprehet ajo.
Pavarësisht dënimit, e mbijetuara e cila rrëfehet për KosovaPress, thotë se vuajtjet e shumë grave dhe burrave nga Kosova do të mbesin të pashlyera.
Ditën kur ajo u dhunua, po barte me vete dy jetë. Pas përfundimit te luftës, si shkak i gjendjes së rëndë, abortoi në muajin e shtatë.
“Atë natë më kanë dërguar te mjeku familjar, por i vetmi mjek që ka ekzistuar në (censuruar), ka qenë që ka punuar në shtëpi të vet, si ordinancë. Atje më kanë dërguar vjehrra edhe motra. Kam qenë e lënduar në trup, me gjakderdhje të madhe, gjithçka ma e keqja që mundet të ndodhë. Kam përdorur terapi dhe pas përfundimit të luftës deri në muajin e shtatë (të shtatzënisë) i kam humbur (foshnjat)”, tregon ajo për KosovaPress.
Drejtësia duket larg në tunelin e errët. Përkundër deponimit të plot dosjeve për krim ende askush nga serbët nuk është dënuar.
“Drejtësia për mua do të thotë gjithçka, që 21 vjet kërkoj drejtësi, më në fund besoj se erdh ajo ditë. Po shpresoj se ka ardhur ajo ditë sepse kam vuajtur shumë. Shumë kam vuajtur. Shumë. Por ia kam dalë me përkrahjen e bashkëshortit tim, ia kam dalë gjithçka. Sepse, edhe ai të mos ishte përkrahja ime, unë sot nuk do të isha. Sepse unë disa herë kam dashur që të bëjë vetëvrasje. Por falë Zotit dhe tij, sot jam edhe më e fortë”, thotë ajo më tej.
Përkrahjen e burrit e pati, por jo edhe të shtetit.
“Përkrahja e shtetit më ka munguar shumë, se unë menjëherë pas luftës kam dëshmuar, menjëherë pas luftës, në UNMIK. Ajo dëshmi nuk ekziston, në vitin 2010 kam dëshmuar në EULEX edhe ajo dëshmi nuk gjendet askund. Tash kam dëshmuar në gjykatën tonë, do Zoti edhe drejtësia po shkon në vend”, shpreson ajo.
Ajo është ballafaquar me gjithçka, me shumë dhimbje, mërzi dhe vuajtje. Ajo në vitin 2018 ishte intervistuar në Policinë për Krime Lufte, dëshmi ka dhënë edhe në Prokurorinë Speciale.
“Drejtësia nënkupton shërim, trajtim, jo vetëm për personin në fjalë që e ka përjetuar luftën, por edhe për familjarët e saj, për fëmijët që ua kemi borxh, por edhe shoqërinë. Ky proces ka filluar shumë herët, por fatin e ka pasur që me 21 janar të këtij viti e mbijetuara e dhunës seksuale që ka qenë pjesë trajtimit të organizatës, një person që ka përfituar tretman të vazhdueshëm në organizatë, ka arritur që suksesshëm të dëshmojë për të gjitha krimet e bërë edhe atë me data dhe me fakte se si është ushtruar ai krim në rrethana lufte dhe se si ky krim ka qenë pjesë e një arsenali të dhunës që personi në fjalë e ka ushtruar në raport me trupin e saj”, tregon ajo.
Gjatë gjithë procesit, e mbijetuara ka qenë e përkrahur nga një ekip profesional që e ka ndihmuar që ajo të jetë në gjendje të dëshmojë para trupit gjykues për krimin që ka përjetuar.
“Klienti tek ne është paraqitur qysh në vitin 2017, dhe fillimisht ne jemi fokusuar në rehabilitimin e traumës së saj. Duke i ofruar qoftë trajtim individual, por edhe grupor në mënyrë që të fuqizojmë edhe pjesën sociale të saj. Ndërsa, prej momentit kur ka filluar ngritja e aktakuzës, dhënia e deklaratës së të mbijetuarës para prokurorëve, deri tek paraqitja e të mbijetuarës dhe ballafaqimi me dhunuesin, ne kemi mbajtur seancë intensive në mënyrë që të fuqizojmë emocionalisht që ajo të ballafaqohet në mënyrën më të mirë të mundshme me dhunuesin”, tregon ajo.
Për gjendjen e saj fizike dhe psikike u dëshmua edhe në gjykatë.
“Ajo ka pasur shumë probleme somatike në boshtin kurrizor, tensionin e lartë, gjumin e çrregullt, ajo me ditë të tëra nuk flenë, plus kur ka filluar gjykimi. Ka qenë rast shumë i vështirë, kur e mbijetuara pas takimit gjyqësor me dhunuesin në gjykatë, është përkeqësuar shumë më tepër. Ajo është detyruar edhe të bëjë rezonancë magnetike, ajo ka pasur problem me boshtin kurrizor, tërë kohën ka qarë. Nuk e ka prit javën edhe ka ardhur këtu, gati çdo të dytën ditë. Ajo shumë herë ka humbur edhe vetëdijen në shtëpi”, tregon ajo për gjendjen e të mbijetuarës.
QKRMT, e cila ka dhënë mbështetje në këtë proces, shpreson që ky rast do të bëjë historinë e Republikës së Kosovës, që të jetë simbol për fuqizimin e mijëra grave dhe burrave, të cilat dhanë dëshmi, por të njëjtat mbetën në arkiva.
“Kemi të bëjmë me një person që nivelin dhe dimensionin e dhunës e ka ushtruar, e ka paguar, me trupin e vet. Këtu mund të flas më së miri viktima dhe me arrit prej një personi që kaq rëndë e ka përjetuar, që ta bëjë rast që do të vjen dhe do të ballafaqohet me gjykatën dhe ta ketë në anën e djathtë edhe dhunuesin dhe të flasë të vërtetën, mendoj që është një histori në vetvete. Fakti që është rasti i parë që po e përkrahim edhe jemi munduar që t’ia ofrojmë mundësitë maksimale të mundshme është që ajo të ndihet mirë dhe stabile. Është rasti i parë që ne shpresojmë që gjykata të marrë vendimin e drejtë dhe shpresojmë që rasti si i tillë të ngadhënjejë me drejtësinë e cila është e mohuar”, thekson ajo.
Gruaja e cila mezi rri ulur teksa flet për jetën e saj, u bën thirrje të gjitha grave që të këmbëngulin për drejtësi. Për këtë të fundit thotë se është në gjendje të dëshmojë kudo.
“Pas 20 vitesh kam shkuar me një hetuese (te vendi i dhunimit) kemi shkuar për herë të parë, u pata ndjerë shumë keq edhe ajo u ndje keq. Se unë 20 vjet asnjëherë nuk kam shkuar në atë vend, u desh aty të shkoj të dëshmoj vendin ku ka ndodhë. E di që ajo ditë ka qenë shumë e rëndë për mua, shumë. Nëse arrihet drejtësia dhe ai e merr dënimin atëherë besoj që edhe do të jem e qetë, së paku këto vjet sa më kanë mbet të jetoj e qetë, e di se dikush u dënua për këtë krim që e ka bërë”, thotë ajo.
B.K tash e dy vjet edhe ligjërisht ka statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Shpirti i saj dhe mijëra grave dhe burrave nuk do të qetësohet derisa të gjykohen këto krime. Edhe pse, të njëjtat ende po përballen me stigmën, paragjykimet e fyerjet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë sot një letër nga kryeministri i ri i Izraelit, Naftali Bennett, si përgjigje për letrën që Kurti ia kishte dërguar atij para disa javësh.
Në këtë letër, Bennett e falenderon Kurtin në emër të Qeverisë së tij për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, raporton Gazeta Express.
“Në emër të Qeverisë së Izraelit, ju falenderoj juve sërish për hapjen e ambasadës këtu në Jerusalem, kryeqytetin e Shtetit të Izraelit”, ka shkruar kryeministri izraelit.
Duke e falënderuar për letrën, Bennett u shpreh mirënjohës që Kurti ndau pikëpamjet e tij lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Izraeli me kënaqësi do t’ju ndihmojë në ruajtjen e monumenteve me vlerë universale kulturore, si dhe do t’ju ndihmojë në përkushtimin e vëmendjes për to, si dhe për shndërrimin e tyre në një destinacion turistik. Ne kemi një përvojë të madhe me objektet tona kulturore në Izrael, e sidomos në Jerusalem, dhe atë që ne e dimë në këtë aspekt, me kënaqësi do ta ndajmë me ju”, thuhet ndër tjerash në letër.
Kurti u kishte dërguar letët kryeministrit izraelit dhe kryeministrave e presidentëve të 56 vendeve të botës, ku shprehte pikëpamjet e tij mbi trashëgiminë kulturore dhe rëndësinë e mbrojtjes së saj.
Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka uruar Memli Krasniqin për zgjedhjen në postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Kurti i ka ofruar bashkëpunim Krasniqit për temat “me interes nacional dhe ballafaqim të ideve e qëndrimeve për të mirën e përbashkët të shtetit dhe qytetarëve”.
Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së, gjatë Konventës të mbajtur të shtunën, më 3 korrik. Ai nuk kishte asnjë kundërkandidat.
Gjatë kësaj Konvente, ai tha se synon që ta kthejë partinë e tij në udhëheqjen e vendit.
“Gjatë rrugës për rikthimin e PDK-së aty ku e ka vendin në udhëheqjen e shtetit padyshim se do të kemi shumë sfida. Pa dyshim se do të kemi shumë pengesa dhe jam absolutisht i sigurt se nuk do të jetë fare e lehtë por unë e njoh shpirtin e partisë sonë të përbashkët. E njoh vullnetin që buron nga secili prej jush këtu dhe buron nga ata dhjetëra-mijëra anëtarë të partisë sonë. Duke u bazuar në këtë energji të pashtershme unë jam i sigurt se bashkë do t’ia dalim”, deklaroi Krasniqi.
Partia Demokratike e Kosovës është partia më e madhe opozitare. Zgjedhja e kreut të ri të kësaj partia erdhi pasi nëntorin e vitit të kaluar, Kadri Veseli dha dorëheqje nga udhëheqja e partisë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Për tetë muaj, kjo parti u udhëhoq nga ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj.
Memli Krasniqi është zgjedhur kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës. Krasniqi u zgjodh në këtë pozitë me shumicë votash të delegatëve pjesëmarrës në Konventën zgjedhore të partisë.
Në votim morën pjesë 476 delegatë. Vetëm 7 vota ishin kundër.
Në deklarimin e tij të parë pas marrjes së pozitës së kryetarit, Krasniqi tha se do të çojë përpara rrugën e trasuar nga ish-kryetarët Hashim Thaçi e Kadri Veseli në krye të PDK-së.
Krasniqi tha se do të bashkëpunojë me secilin anëtar dhe qytetar që dëshiron të bashkohet PDK-së.
“Gjatë rrugës për rikthimin e PDK-së aty ku e ka vendin në udhëheqjen e shtetit padyshim se do të kemi shumë sfida. Pa dyshim se do të kemi shumë pengesa dhe jam absolutisht i sigurt se nuk do të jetë fare e lehtë por unë e njoh shpirtin e partisë sonë të përbashkët. E njoh vullnetin që buron nga secili prej jush këtu dhe buron nga ata dhjetëra-mijëra anëtarë të partisë sonë. Duke u bazuar në këtë energji të pashtershme unë jam i sigurt se bashkë do t’ia dalim”, deklaroi Krasniqi.
Gjatë Konventës, Krasniqi prezantoi platformën që synon ta zbatojë gjatë mandatit të tij si kryetar i PDK-së. Në prezantimin e platformës, Krasniqi ka thënë se synon që PDK-në ta kthejë në vendin e parë dhe që të qeverisë me vendin.
“Ne sot jemi në opozitë. Kanë qenë edhe gabimet tona që i kanë kontribuuar kësaj situate. Ndoshta s’kemi mundur ta lexojmë krejt saktë disponimin e votuesve, prandaj edhe në dy palë zgjedhjet e fundit nuk kemi marrë mjaftueshëm mbështetjen e tyre. Reflektimi është i domosdoshëm. Nuk mund të vazhdojmë edhe më tutje njëjtë. Në këtë pikë, besoj se pajtohemi të gjithë. Kështu si jemi sot, nuk mjafton për t’u rikthyer. Por, ne qëllimin e kemi për t’u rikthyer”, deklaroi Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se beteja kryesore e PDK-së është në Kuvendin e Kosovës duke ftuar deputetët e këtij subjekti politik që të angazhohen sa më shumë në punën e tyre në këtë institucion.
Ai ka thënë se do të formojë një kryesi të re me të rinj dhe të reja si dhe me njerëz që janë rritur në Partinë Demokratike të Kosovës. Mes tjerash, Krasniqi ka paralajmëruar formimin e një kabineti për Qeverisje të Mirë, me qëllim të formësimit të vizionit për një qeverisje të ardhshme.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja duhet që ta kthejë mbështetjen e rinisë.
Memli Krasniqi ishte kandidati i vetëm në këtë garë pasi asnjë anëtar tjetër i PDK-së nuk paraqiti kandidaturën për kryetar të këtij subjekti politik.
Në garë për kryetar të PDK-së pritej që të ishte edhe Enver Hoxhaj, i cili për tetë muaj ishte ushtrues i detyrës së kryetarit të këtij subjekti politik.
Mirëpo pak kohë para përfundimit të afatit për paraqitjen e kandidaturave, Hoxhaj njoftoi se nuk do t’i hynte garës për kryetar.
Në hapje të Konventës, Hoxhaj, tha se shumëkush ka pritur se ai do të garonte për të parin e PDK-së, porse sipas tij, PDK-ja ka nevojë për një reformim dhe udhëheqësi të re.
“Nga kjo Konventë presim që ta forcojmë edhe më shumë identitetin tonë si parti shtetformuese, por edhe si parti e djathtë. Të dalim me qëndrime të qarta dhe të shpejta për ta mbrojtur demokracinë, lirinë, ekonominë e tregut dhe lirinë e shprehjes”, deklaroi Hoxhaj.
Hoxhaj tha se kjo konventë e partisë po zhvillohej në rrethana jonormale pasi për herë të parë në të mungojnë ish-kryetari, Kadri Veseli dhe ish-presidenti, Hashim Thaçi.
Partia Demokratike e Kosovës mbeti pa kryetar më 5 nëntor të vitit 2020 kur Kadri Veseli dha dorëheqje nga drejtimi i partisë pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës ia konfirmuan aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga ajo kohë Veseli është në paraburgim në Hagë.
PDK-ja për gati 17 vjet u udhëhoq nga ish-kryetari, Hashim Thaçi i cili po ashtu është në paraburgim në Hagë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Kush është Memli Krasniqi?
Memli Krasniqi ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe po ashtu ka kryer studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Shkollës Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike (LSE).
Para se t’i hynte politikës Memli Krasniqi njihej kryesisht për karrierën e tij në muzikë në kuadër të grupit muzikor “Ritmi i Rrugës”.
Në vitin 2004 ai u bë pjesë aktive e Partisë Demokratike të Kosovës.
Që nga ajo kohë Memli Krasniqi udhëhoqi me Departamentin e Rinisë në PDK, ishte pjesë e strukturave udhëheqëse të partisë si anëtarë i kryesisë si dhe nënkryetar e po ashtu u zgjodh në disa mandate deputet i Kuvendit të Kosovës.
Në vitin 2011 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ndërsa në vitin 2014, Krasniqi mori sërish një pozitë të rëndësishme në ekzekutiv, atë të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare Krasniqi u zgjodh sërish deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të shtunën, më 3 korrik, se ka pranuar 182.900 doza të vaksinës AstraZeneca, që janë donacion nga Norvegjia.
“Kontingjenti i vaksinave nga Norvegjia kanë mbërritur në Kosovë përmes transportit të organizuar nga institucionet e Bashkimit Evropian. Kjo mbështetje nga Qeveria norvegjeze, populli norvegjez dhe institucionet e BE-së kanë një rëndësi të madhe për ne, për të cilën shprehim mirënjohjen tonë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Sipas njoftimit, gjatë pranimit të vaksinave, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka falënderuar Novergjinë për këtë donacion dhe ka thënë se procesi i imunizimit është forma më e mirë për ta mposhtur sëmundjen COVID-19.
Ndërkaq, ambasadori norvegjez në Prishtinë, Jens Erik Grøndahl ka thënë se është obligim njerëzor “të jemi pranë njëri-tjetrit për të luftuar COVID-19 dhe të sigurohemi që të kemi bashkëpunim sa më të qëndrueshëm”.
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të regjistrohen dhe të aplikojnë për regjistrim në platformën e-Kosova.
Vaksinimi në Kosovë ka nisur në fund të marsit. Ndërkaq, që nga 15 qershori ka nisur vaksinimi masiv.
Përveç vaksinave që i ka marrë donacion nga Bashkimi Evropian, programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kroacia dhe Mali i Zi, Kosova po ashtu ka nisur që të pranojë kontingjente nga kontrata që ka me kompaninë Pfizer.
Kosova dhe kompania Pfizer kanë nënshkruar kontratë për sigurimin e 1.2 milion dozave.
Deri më 2 korrik, në Kosovë janë vaksinuar mbi 196 mijë qytetarë, ku prej tyre mbi 47 mijë janë vaksinuar plotësisht (me dy dozat e vaksinës).
Qeveria e Kosovës mëton që deri në fund të vitit të vaksinojë 60 për qind të qytetarëve. rel
Gazeta e njohur zvicerane, Tages-Anzeiger, ka krahasuar çmimet e udhëtimeve nga Zvicra dhe Gjermania drejt Kosovës dhe Shqipërisë, nga ato drejt shteteve të tjera.
Tages-Anzeiger shkruan se çmimet e biletave për shqiptarët që jetojnë në këto dy shtete, janë shumë më të shtrenjta për t’u kthyer në Kosovë, krahas biletave drejt vendeve tjera.
“Gjeta një ofertë për fluturim me bileta kthyese nga Zyrihu në New York për 373 franga në fund të muajit korrik, ndërsa një bileta nga Zyrihu për në Prishtinë kushton rreth 720 franga”, ka thënë një shqiptar i Kosovës.
Një familjeje kosovare pesëanëtarëshe një udhëtim drejt Kosovës në sezonin e verës i kushton rreth 3600 franga, derisa gazeta shqiptarët i cilëson “minierë ari” për linjat ajrore. Megjithatë, këto çmime të larta nuk i prekin vetëm shqiptarët e Kosovës apo të Shqipërisë. Shtetet e Ballkanit, kryesisht Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ngadalë po bëhen një zonë e veçantë për alpinistët, shkak kjo peizazhet e bukura.
Një kompani ajrore që rregullisht fluturon drejt Prishtinës nga Zyrihu, Edelweiss, thotë se çmimet s’janë të larta dhe se kontrollohen nga ofertat dhe kërkesat.
“Faktori vendimtar është koha e rezervimit të fluturimit dhe vendet që ende janë në dispozicion”, ka thënë një zëdhënës i kompanisë.
Lehtësimi i masave anti-COVID ka shkaktuar kohëve të fundit rritje të kërkesës për të udhëtuar drejt Kosovës, me ç’rast kjo ka ndikuar edhe në çmim. Kosova nuk është më në listën e rreziqeve të Zyrës Federale të Shëndetit Publik dhe se autoritetet zvicerane nuk kanë gjetur “asnjë variant shqetësues të virusit”.
“Për ata që janë vaksinuar plotësisht, janë rikuperuar ose testuar negativisht, nuk ka asnjë detyrim karantine kur të kthehen nga Kosova dhe të hyjnë përsëri në Zvicër”, raporton Tages-Anzeiger.
Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë emëruar, Agon Bytyqin, zëvendësdrejtor të ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kanë emëruar sot Agon Bytyqin, zëvendësdrejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
“Zëvendësdrejtori i sapoemëruar i AKI-së, ka përfunduar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës më 2008, ndërkaq studimet master në fushën e drejtësisë i ka përfunduar më 2012. Një pjesë të studimeve, z.Bytyqi i ka përfunduar në SHBA”, thuhet në komunikatë.
“Ai, gjithashtu ka përfunduar provimin e Jurisprudencës më 2018. Ka përvojë 11-vjeçare në fushën e sigurisë, si dhe në atë të bashkëpunimit ndërkombëtar”, njoftohet tutje.
Emërimi i Bytyqit vjen pas shkarkimit të Vlora Hysenaj nga kjo pozitë./Express/
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë konferencës për media në aeroportin ushtarak të KFOR-it në Sllatinë, 1 korrik, 2021.
RFE/RL
Marrëveshja e vitit 2013 midis Kosovës dhe NATO-s – në bazë të së cilës Forca e Sigurisë e Kosovës nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe të Kosovës pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it – është ende e vlefshme dhe e duhur, tha të enjten në Kosovë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Para se t’u drejtohej mediave, Stoltenberg takoi në Prishtinë udhëhehqësit politikë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Ai tha se çështja e vendosjes së FSK-së në veri ka qenë temë e bisedimeve me Kurtin, i cili marrëveshjen për të e sheh si të dëmshme.
Kurti ka konfirmuar në muajin maj se e ka dërguar këtë marrëveshje – të nënshkruar nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefi i atëhershëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen – në prokurori.
Në letër-këmbimin e vitit 2013, Thaçi e ka siguruar Rasmussenin se FSK-ja “do të ndërmerrte mision në veri të Kosovës vetëm me pajtimin paraprak të KFOR-it” – mision ky paqeruajtës i NATO-s.
“Kjo vlen akoma dhe pasqyron gjithashtu ndjeshmëritë dhe sfidat. Mendoj se është mënyra më e mirë për të vazhduar gjetjen e balancës së duhur dhe shmangien e çdo situate, që mund t’i minojë dhe dobësojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike, dhe të çdo gjëje, që mund të minojë dialogun Prishtinë-Beograd”, tha Stoltenberg në konferencën për media, të mbajtur në aeroportin ushtarak të KFOR-it në Sllatinë.
“Kur nënshkruani një marrëveshje, ajo vazhdon [edhe] kur keni persona të rinj në pozita përgjegjëse”, tha Stoltenberg duke komentuar vendimin e Kurtit për ta dërguar marrëveshjen në prokurori.
Stoltenberg po ashtu tha se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës, por brenda mandatit të saj fillestar, që nënkupton kohën përpara vendimit të autoriteteve të Kosovës për ta shndërruar atë në ushtri.
“Kur është marrë vendimi, unë kam thënë se ka qenë i gabuar. NATO do të vazhdojë të punojë me FSK-në brenda mandatit të saj origjinal. Kjo është ajo që ne e mbështesim”, tha Stoltenberg.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në vitin 2018 ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë të armatosur.
Është paraparë që procesi i transformimit të zgjasë dhjetë vjet.
Stoltenberg nuk pranoi të komentojë planin për ndërtimin e një poligoni të FSK-së në Mitrovicë të Jugut, duke thënë se “këto janë çështje të ndjeshme, që nxjerrin në pah rëndësinë e respektimit të faktit se ka pikëpamje të ndryshme”.
Andaj, theksoi ai, nuk duhet bërë asgjë që minon përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike dhe për të bërë përparim në dialogun Prishtinë-Beograd.
Duke folur për rrugën e Kosovës në NATO, Stoltenberg tha se katër vendet aleate të NATO-s, që nuk e njohin Kosovën, “pasqyrojnë realitetin politik”.
“Anëtarësimi në NATO bazohet në konsensus. Ne kemi nevojë që të gjithë aleatët të bien dakord. Andaj, mënyra e vetme për të arritur anëtarësimin për këdo, është që të gjithë aleatët të bien dakord”, tha Stoltenberg.
Ai shtoi se gjëja më e rëndësishme që Kosova mund të bëjë tani, është të vazhdojë të angazhohet në dialogun me Serbinë.
“…sepse, në një fazë, ju duhet të shihni normalizim. Kjo do të jetë e rëndësishme kur të bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por do të jetë gjithashtu e rëndësishme kur të bëhet fjalë për marrëdhëniet e Kosovës me të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfshirë NATO-n”, theksoi Stoltenberg.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka vendosur që të mos kandidojë për kryetar të partisë. Qëndrimin e tij Hoxhaj e bëri të ditur përmes një konference për media, raporton Gazeta Express.
Ai tha se nuk po ik nga përgjegjësia, por se mendon që ky vendim i tij do t’i kontribuonte unitetit në parti.
“Unë nuk jam kandidat për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo nuk është ikje nga përgjegjësia, nuk është ikje nga detyra, nuk është ikje nga puna”, tha Hoxhaj.
Ai nuk tregoi nëse do të ketë kandidatë të tjerë në garë me Memli Krasniqin për pozitën e kryetarit të PDK-së.
“Gjenerata e re mund ta bëjë ndryshimin në Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa detyra jonë është që ta mbështesim lidershipin e ri”, tha Hoxhaj, ndërsa shtoi se do ta mbështes lidershipin që del nga Konventa e 3 korrikut.
Ai nuk deshi të komentojë kandidaturën e anëtarit të Kryesisë së PDK-së, Memli Krasniqi, ndërsa tha se është koha që PDK-ja të ristrikuturohet.
Konventa e Përgjithshme e PDK-së mbahet të shtunën. Aty pritet të zgjidhet kryetari i ri i partisë dhe strukturat e reja të larta udhëheqëse.
Memli Krasniqi deri tani është kandidati i vetëm për kryetar.
Autoblinda me mortajë Vuran 4×4 e zhvilluar me bashkëpunimin e kompanive të industrisë turke të mbrojtjes do të eksportohet për herë të parë në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë, mësohet se Vuran 4×4 është prodhuar nga BMC një prej prodhuesve të Turqisë për mjetet tokësore të blinduara. Automjeti i blinduar i cili mund të përdoret me shumë qëllime, prej një kohe ndodhet në inventarin e forcave turke të sigurisë.
Për Vuran 4×4 janë zhvilluar konfigurime të ndryshme për t’u përdorur sipas nevojave dhe aftësive operacionale të Forcave të Armatosura të Turqisë. Në kuadër të kësaj autoblinde me mortajë Vuran 4×4 i zhvilluar nga BMC dhe ASELSAN është vendosur në përdorim të forcave të sigurisë.
Autoblinda Vuran 4×4 u shfaq duke u shndërruar në produkt nga inxhinierët turq të cilët bashkuan dinamikat e përvojës luftarake të Forcave të Armatosura Turke dhe vizionin e industrisë turke të mbrojtjes. Me referencën e Forcave të Armatosura Turke, Vuran 4×4 ka ngjallur një interes edhe jashtë vendit.
Lajmi për eksportimin e parë të Vuran 4×4 ka ardhur nga Kosova. BMC e cila i ka shtuar një risi eksportit që ka kryer kohët e fundit drejt Ballkanit, realizoi shitjen e parë jashtë vendit të Vuran 4×4 në kuadër të një marrëveshjeje të nënshkruar me Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.
Në fazën e parë do të prodhohen dhe dorëzohen 2 mjete Vuran 4×4. Prodhimi i mjeteve do të bëhet në partneritet mes BMC dhe ASELSAN.
Në mjet do të vihet në përdorim sistemi i mortajës 120 milimetra Alkar i kompanisë ASELSAN. Ky sistem i cili cilësohet si “bajoneta e re e ushtarëve turq”, me lëvizshmërinë dhe aftësinë e lartë të mbijetesës mund të kryejë detyra në kushte të vështira klimatike dhe gjeografike.
Qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të Evropës, nga dita e enjte, (1 korrik) nuk do paguajnë sigurimet kufitare kur hyjnë në Kosovë, ka bërë të ditur ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.
“Prej sot, mërgata nuk ka nevojë të paguajë për policën kufitare. Me marrëveshjen e arritur me Bankën Qendrore dhe Byronë Kosovare të Sigurimeve, Qeveria mbulon çmimin e reduktuar për 35 për qind. Nëse llogariten edhe kursimet e tarifave bankare, me këtë marrëveshje do të kursehen mbi 3 milionë euro”, ka shkruar Murati në rrjetin social Facebook.
Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura, është dashur të paguajnë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një muaj kap vlerën e sigurimit prej 20 eurosh. Këto tarifa ndryshojnë nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë.
Mbështetja për mërgatën me vlerë prej pesë milionë euro, është paraqitur edhe në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, të publikuar të mërkurën nga Qeveria e Kosovës.
Në pako thuhet se do mbulohet kostoja e reduktuar e policës kufitare për të gjithë mërgimtarët që vijnë në Kosovë, deri sa të zgjidhet përfundimisht çështja e anëtarësimit të Kosovës në Kartonin e Gjelbër.
Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).
Përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, po sfidohen nga dy probleme thelbësore. Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe së dyti, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasiguruara në qarkullim, çka e bën të pamundur sigurimin e Kartonit të Gjelbër.
Pas arrestimit të drejtorit të Financave të Komisionit të Pavarur të Mediave, Arben Bilalli, në pranga ka përfunduar edhe kryeshefi Luan Latifi.
Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se i arrestuari i radhës në KPM është kryeshefi Latifi.
Menjëherë pas arrestimit të Bilallit reagoi KPM, e cila i ofroi Prokurorisë së Shtetit bashkëpunim të plotë për zbardhjen e rastit.
Mbrëmë u arrestua edhe drejtori i këtij Komisioni, Arben Bilalli.
Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi, është arrestuar pak momente më parë pasi po dyshohet se është zhytur në afera korruptive.
Ai po dyshohet se së bashku me drejtorin e Financave të këtij institucioni kanë marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro me premtimin për mosndëshkimin e një subjekti biznesor.
Latifi në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar se ka para të gatshme në banka mbi 50 mijë euro, prej të cilave 23 mijë janë në llogarinë e gruas ndërsa 11 në llogarinë e fëmijëve.
Shuma të majme në banka mban edhe i arrestuari tjetër në këtë rast Arben Bilalli. Ai ka deklaruar se së bashku më bashkëshorten e tij kanë para të gatshme mbi 93 mijë euro në banka.
I pari i cili përfundoi në pranga lidhur me këtë rast ishte drejtori i Financave, Arben Bilalli.
Sipas Prokurorisë, Bilalli dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8,000 euro, me premtimin se do të ndikojë në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.
Ndërsa nuk vonoi shumë dhe për të njëjtin rast u arrestua edhe kryeshefi Luan Latifi.
Arrestimi i tij erdhi pas Prokuroria vlerësoi si të bazuar dyshimin se Latifi ka qenë në dijeni të qarta për kushtëzimet.
Ndaj Bilallit është kërkuar paraburgimi prej 30 ditësh.
Ai është në pozita të larta në Komisionin e Pavarur për Media që nga viti 2008.
Komisioni i Pavarur i Mediave është institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutën e Kosovës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Komisioni i Mediave trajton ankesat e qytetarëve për shkeljet e supozuara që mund t’i bëjnë mediat (televizionet dhe radiot) në etikë dhe në shfrytëzimin e licencës së transmetimit.
Sipas Prokurorisë, Bilalli dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8,000 euro me premtimin se do të ndikojë në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.
Ai është në pozita të larta në Komisionin e Pavarur të Mediave që nga viti 2008.
Komisioni i Pavarur të Mediave është institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutën e Kosovës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Komisioni i Mediave trajton ankesat e qytetarëve për shkeljet e supozuara që mund t’i bëjnë mediat (televizionet dhe radiot) në etikë dhe në shfrytëzimin e licencës së transmetimit.
Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, e kanë shkarkuar nga detyra zëvendësdrejtoren e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Vlora Hyseni.
Njoftimi për shkarkimin e saj bëhet i ditur përmes një komunikate nga zyra e kryeministrit Kurti.
“Vendimi për shkarkim e obligon Vlora Hysenin të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruajë të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara”, thuhet në komunikatë.
Nuk bëhen të ditura më shumë arsye të shkarkimit të zyrtares së lartë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, mirëpo në komunikatë përmendet fakti se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”.
Në udhëheqjen e AKI-së ka pasur vazhdimisht ndryshime gjatë viteve të fundit.
Vetëm në gjashtë vjetët e fundit, në AKI janë ndërruar tre drejtorë. I vetmi që ka përfunduar një mandat të plotë ka qenë drejtori i parë, Bashkim Smakaj, i cili ishte emëruar në këtë post në shkurt të vitit 2009. Një vit pas riemërimit, më 2015 ai kishte dhënë dorëheqje, duke u zëvendësuar nga Agron Selimaj. Ky i fundit po ashtu kishte dhënë dorëheqje dy vjet më vonë, më 2017.
Në vend të tij, më 2017, u emërua Driton Gashi, të cilit iu kërkua të lironte detyrën vetëm një vit pas marrjes së detyrës, për shkak të skandalit me arrestimin dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq.
Që atëherë, në pozitën e drejtorit të AKI-së ishte emëruar Kreshnik Gashi, të cilit po ashtu iu kërkua largimi nga ky post, në dhjetor të vitit të kaluar.
Në muajin prill presidentja Osmani dhe kryeministri, Kurti, emëruan Petrit Ajetin, drejtor të Agjencisë.
Në bazë të ligjit në fuqi, drejtori i AKI-së i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit.
Po sipas këtij ligji, drejtori i AKI-së shërben si këshilltar i presidentit dhe kryeministrit për çështje të inteligjencës që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës; njofton presidentin dhe kryeministrin për aktivitetet e AKI-së dhe ofron informata për presidentin dhe kryeministrin sa i takon sigurisë. rel
Ligjvënësit kosovarë, të hënën e 12 korrikut do të kenë një seancë të rëndësishme. Në Kuvendin e Kosovës, nëpërmjet video-lidhjes do të paraqitet ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons.
Pas aprovimit nga Komisioni për Legjislacion, data 12 korrik është caktuar për të dëgjuar pretendimet e Simmonsit. Ky i fundit pritet të raportojë për, siç pretendon ai, një mori skandalesh të EULEX-it në Kosovë, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave e ndikimet në dëshmitarë.
Se do të raportojë para deputetëve më 12 korrik, e ka konfirmuar për RTK-në vetë Simmons.
“Unë pres që ta jap dëshminë time në Parlamentin e Kosovës më 12 korrik. Kam besim se pasi të dëshmojë, Parlamenti të vendosë që të nis një hetim të plotë publik”, ka thënë Simmons. Në anën tjetër, avokati i Simmonsit, Artan Qerkini tregon për formatin e raportimit dhe pretendimet e ish gjyqtarit britanik.
“Pas kërkesës së ardhur nga Kuvendi që Simmons të raportoj më 12 korrik, kam kontaktuar me të, dhe ai e konfirmuar që do të raportojë nëpërmjet video-lidhjes. Arsyeja pse Z.Simmons nuk ka mundur të vie fizikisht në Kosovë, është përhapja e variantit Delta të Koronavirusit, dhe në rast se vjen do t’i duhej të qëndronte 2 javë në karantinë”, u shpreh Qerkini.
Komuna e Prishtinës sot ka nënshkruar marrëveshje me Ambasadën Amerikane në Prishtinë, për dhënie në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale me një sipërfaqe prej 8,340 metra katrorë, për ndërtimin e rezidencës së re për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Prishtinë.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti si dhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.
Pas nënshkrimit të marërveshjes, kryetari Shpend Ahmeti tha se “Është kënaqësi për ne që të shprehim edhe njëherë mirënjohjen tonë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë për vendin tonë. Me Ambasadën dhe Rezidencën e re të Shteteve të Bashkuara në tregojmë atë që është vendosur e bërë e qartë nga ShBA-të qysh vite më parë, që është një prej partnerëve tanë më të afërt dhe është këtu për të qëndruar. Për të qëndruar me ne, në këtë në tranzicion dhe për të zhvilluar shtetin tonë dhe ne jemi mirënjohës për këtë. Jam mirënjohës edhe ndaj Kuvendit Komunal si dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme përmes së cilave është adresuar kërkesa, andaj ju faleminderit edhe njëherë. Ajo që dua të theksoj është se kryetarët e ambasadorët shkojnë dhe vijnë. Është kënaqësi për ne që të shprehim edhe njëherë mirënjohjen tonë për gjithçka mbetet për qytetarët janë institucionet dhe ne duhet të punojmë t’i fuqizojmë këto, andaj jam i lumtur që kemi pasur fatin të jemi nënshkrues të një marrëveshje që ka këtë qëllim”.
Ndërkaq ambasadori amerikan në Kosovë, z. Philip Kosnett tha se: “Sot, në emër të popullit amerikan, i shpreh falenderimet për kryetarin Ahmeti, Kuvendin Komunal dhe popullit të Prishtinës, që siguruan qasje në tokën mbi të cilën do të ndërtohet Rezidenca e re e Shefit të Misionit tonë. Një Rezidencë moderne, e cila do të jetë vendtakim për kosovarët e të gjitha komuniteteve që të bashkohen me miqtë e tyre amerikan për të shkëmbyer ide dhe për të punuar së bashku për ndëtimin e një të ardhme të paqes, drejtësisë, dhe prosperitetit për të gjithë njerëzit në Kosovë”.
Kjo pronë e paluajtshme i ofrohet në shfrytëzim Ambasadës Amerikane për 99 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes.