VOAL

VOAL

Kupchan: Kosova ka të drejtë ta hapë njëanshëm Urën e Ibrit, por për zgjidhje afatgjate duhet përmes Brukselit

Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve europiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, thotë se Kosova ka të drejtë të hapë në mënyrë të njëanshme Urën e Ibrit.

Megjithatë, profesori për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Georgetown në Washington, thotë se nëse dëshiron që të normalizojë marrdhëniet me Serbinë është mirë që ta zgjidhë këtë çështje në tavolinën e Brukselit.

“Edhe pse Kosova ka të drejtë të ushtrojë sovranitet dhe të hapë në mënyrë të njëanshme urën e lumit Ibër, Prishtina, pasi synon përfundimisht të normalizojë marrëdhëniet me Beogradin, është më mirë të veprojë përmes procesit të dialogut”- tha Kupchan.

Kupchan tha se Kosova dhe Serbia përballen me një mosmarrëveshje të vështirë dhe të gjatë që duhet të shtensionohet.

“Në një mosmarrëveshje të këtij lloji, veprimet e njëanshme priren të tërhiqen dhe të pengojnë përparimin, jo të përmirësojnë situatën”- shtoi Kupchan.

Gjendja në Kosovë është ngarkuar javëve të fundit pas këmbënguljes të autoriteteve kosovare për të hapur Urën e Ibrit që ndan Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Hapja e Urës në këtë momentum po kundërshtohet nga faktori ndërkombëtar. Megjithatë, kritika të tilla nuk i kanë zmbrapsur qëndrimet e krerëve të shtetit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vlerësimet e sigurisë së bashku me aleatët e saj, nuk janë të jashtëzakonshme, por pothuajse identike si shumicën dërrmuese dhe se SHBA asnjëherë nuk ka kërkuar që mos të hapet Ura e Ibrit.

“Ajo urë nuk është dashtë me u mbyllë kurrë. Ajo urë është mbyllë për arsye krejtësisht politike. Ura që patjetër duhet të hapet, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet, të mbetet e hapur. E jo që kur hapet e nxit një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të”- tha Osmani në një konferencë për media më 15.08.2024.

Sipas saj, është krejtësisht normale të bëhen vlerësime, jo vetëm për Kosovën, por për çdo vend të botës ku ShBA ose NATO ka rol në mirëmbajtjen e sigurisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndarë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, vlerësimet e sigurisë që kanë të bëjnë me rrezikimin e jetës së ushtarëve amerikanë, tha Presidenca në disa përgjigje  më 15.08.2024.

Edhe SHBA i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, se a duhet të zgjidhet statusi i Urës së Ibrit përmes dialogut Kosovë- Serbi, Osmani tha nuk ka asnjë arsye dhe e kundërshton në çdo mënyrë një gjë të tillë.

“Nuk kemi çka e pyesim Serbinë … Nuk ka çka pyetet Serbia për një urë që është brenda territorit të Kosovës”- tha Osmani, duke i quajtuar raciste deklarimet e zëdhënësit të BE-së Peter Stanon, cili kishte thënë se planifikojnë që në takimin e  ardhshëm Kosovë-Serbi të vihet në agjendë zgjidhja e statusit të Urës së Ibrit.

Sipas saj, dialog për këtë temë me Serbinë nuk do duhej të pranonte askush. Do të ishte anti-kushtetues dhe kundër sovranitetit të Kosovës.

“Por, dialog me shpëtimtarët tanë, ajo jo që është e nevojshme dhe domosdoshme por është në interesin tonë mbi të gjitha”- shtoi ajo.

Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, në një bisedë me KALLXO më 24.07.2024  kishte thënë se nuk sheh ndonjë arsye që hapja e urës të mos diskutohet në dialog, nëse Prishtina apo Beogradi duan ta bëjnë këtë.

“Por, [ura] është në territorin e Kosovës, ku vendimet i merr qeveria e saj e zgjedhur në mënyrë demokratike. Nuk e imagjinoj se Beogradi do ta lejonte Prishtinën të vendoste për hapjen e një ure në Serbi”- shprehet Serwer.

Sipas tij, hapja eventuale e urës, do të jetë e mirë për tregtinë, ekonominë dhe bashkëpunimin dhe se njerëzit më afër urës dhe përgjegjësit për sigurinë publike duhet ta bëjnë thirrjen për hapjen e urës.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje.

Kurti më 13.08.2024, tha se me Komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash kanë diskutuar që të hapet Ura e Ibrit, pasiqë “ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”- tha Kurti.

“Qeveria e Kosovës dhe unë si kryeministër besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet”- shtoi ai.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

Për sa kohë që po ndodhin këto zhvillime, mbi Urën e Ibrit janë duke u kryer punime si lyerje e punë jo të vrazhda.

Raporti për stabilitetin e urës nëse është e gatshme për qarkullim të automjeteve ka vënë në pah se kjo urë në aspektin teknik është e gatshme për shfrytëzim pa asnjë kufizim.

Aty shkruan se Ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale.

Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.

Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.

Është pikërisht Plani i Ahtisaarit, baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna.

Megjithatë, pak vite pas shpalljes të pavarësisë së Kosovës, përkatësisht në vitin 2011, serbët lokalë vendosën në urën e Ibrit disa barrikadat si kundërshtim ndaj autoriteteve të Kosovës. Ndërsa dy vite më pas, më 2013, më saktësisht duke u bazuar në ligje të Kosovës, u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut.

Në vitin që u arrit marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për heqjen e barrikadave, më 2014, vendi u quajt “Parku i Paqes” duke i zëvendësuar barrikadat me copa betoni dhe me pemë.

Por, parku nuk ishte jetëgjatë, pasi që u largua në vitin 2015. sn

Qëndrimi i Kurtit për koordinim rreth urës shihet si hap pozitiv

Arton Konushevci

Deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtarë, lidhur me hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë, analisti politik, Rrahman Paçarizi, e konsideron një shenjë pozitive.

Edhe një pjesë e opozitës në Kosovë thotë se Qeveria e Kosovës gabon nëse vepron pa koordinim me faktorin ndërkombëtar.

Kryeministri Kurti, më 14 gusht, tha se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimin me partnerët e Kosovës lidhur me hapjen e urës mbi lumin Ibër në veri.

“Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçanërisht kundër partnerëve ndërkombëtarë”, tha Kurti gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së tij të mërkurën.

Ai, gjithashtu, shtoi se Qeveria e Kosovës e konsideron hapjen e urës si “gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”.

Këto deklarata vijnë një ditë pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se, popullata lokale dhe ushtarët e NATO-s, përfshirë ata amerikanë, mund të rrezikohen nëse Qeveria e Kosovës vendos të hapë urën në këtë kohë.

Rihapja e urës për qarkullim të automjeteve, e cila që nga paslufta e vitit 1999, ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare me atë në veri me shumicë serbe, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë. Në këtë urë ka një prani të vazhdueshme të ushtarëve të KFOR-it, aktualisht ushtarë italianë, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj, gjithashtu.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, janë pajtuar që ura të hapet për trafik, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende në terren. Qeveria tashmë ka deklaruar se synon të hapë urën, në pajtim me atë që është dakorduar në Bruksel.

Çka parashikon Marrëveshja për urën?

Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e urës kryesore mbi Ibër për qarkullim në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2014.

Me të u parapa i ashtuquajturi “rivitalizim i urës”, me qëllim heqjen e të gjitha barrikadave dhe funksionalizimin e urës.

Barrikadat e para në këtë urë u ngritën në vitin 2011 nga serbët vendas, në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veri.

Në vitin 2014, ato barrikada u zëvendësuan me gardhe prej betoni, të cilat autoritetet lokale në Mitrovicën e Veriut – të udhëhequra nga Lista Serbe – i quajtën “Parku i Paqes”. Ky “park” u hoq në vitin 2016 – kohë kur ura mendohej të hapej për qarkullim.

Në të njëjtin vit, Kosova dhe Serbia ranë dakord për një plan të ri zbatimi, qëllim i të cilit ishte tejkalimi i mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme që u bëheshin konkluzioneve të mëparshme.

Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës ishte menduar të bëhej në janar të vitit 2017.

Megjithatë, punimet për rivitalizimin e urës përfunduan në qershor të vitit 2018.

Në atë projekt u investuan 1.5 milion euro.

Në fund, ura nuk u hap për mjete motorike, por vetëm për këmbësorë.

Forcat e KFOR-it, përkatësisht karabinierët italianë qëndrojnë në vazhdimësi mbi urë.

Misioni i KFOR-it mendon se kjo çështje duhet të kthehet në tavolinën negociuese në Bruksel dhe ka përsëritur disa herë se “nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”.

Vendet e QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë cilësuar si të njëanshëm synimin e Qeverisë së Kurtit për rihapjen në këtë kohë. BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

Haziri: Hapja e urës duhet të bëhet ekskluzivisht në koordinim me QUINT-in

Partitë opozitare në Kosovë i bëjnë thirrje Kurtit që çdo vendim lidhur me çështjen e urës në Mitrovicë të merret në koordinim me SHBA-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, në mënyrë që të shmangen tensionet e mundshme.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë se LDK-ja ka paralajmëruar më herët se për shkak të moskoordinimit me aleatët, sidomos me NATO-n, çështja e urës po i rikthehet negociatave në Bruksel.

“Është e domosdoshme që Qeveria të ndërtojë një ambient politik dhe koordinim sa më të mirë me të gjitha shtetet anëtare të QUINT-it, në mënyrë që ky moskoordinim të mos ketë ndikim në çështjet që janë shqetësim serioz për partnerët tanë, siç janë siguria dhe integrimi i procesit. Ne e shohim se lojaliteti dhe besimi i qytetarëve duhet të fitohet. Ata janë në bojkot, dhe kjo tregon qartë se ka nevojë për një dialog të brendshëm, mirëpo mendësia e Qeverisë dhe e kryeministrit është e kundërta e kësaj”, tha Haziri.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka vlerësuar se kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në kuadër të misionit të NATO-s, është “armik i Kosovës”.

Nga Partia Demokratike e Kosovës nuk kanë qenë të qasshëm për koment.

Paçarizi: Ura nuk do të mund të hapej pa një konfrontim me NATO-n

Analisti politik, Rrahman Paçarizi, e konsideron si një shenjë pozitive faktin që Kurti ka deklaruar se po vazhdon konsultimet me faktorin ndërkombëtar dhe se kjo është e vetmja mënyrë për të hapur urën, pa ngritur tensione.

“Ura nuk do të mund të hapej pa një konfrontim me praninë ndërkombëtare ushtarake, KFOR-in, në Kosovë”, tha ai.

Paçarizi vlerëson se Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij, deri më tani, e kanë shfrytëzuar çështjen e urës për qëllime parazgjedhore, duke pasur parasysh se zgjedhjet e reja priten në fillim të vitit të ardhshëm.

“Natyrisht, kjo nuk do të thotë se dikush në Kosovë është kundër hapjes së urës, por kjo nuk do të thotë se duhet në asnjë mënyrë të cenohen aleancat e caktuara. Kosova mund të konsiderojë aleate SHBA-në dhe partnerët e tjerë evropianë, vetëm në rast se veprimet janë të koordinuara dhe nuk rrezikojnë në asnjë mënyrë, jo vetëm paqen në një vend të caktuar, por as momentin e përgjithshëm politik apo gjeostrategjik nëpër të cilin kalojnë aleatët përgjithësisht”, tha ai.

Mosmarrja parasysh e këtyre kërkesave, sipas tij, mund të sjellë pasoja.

“Ne tashmë për më shumë se një vit jemi nën sanksione dhe qytetarët e Kosovës nuk i ndjejnë drejtpërdrejt pasojat e këtyre sanksioneve, por në mënyrë indirekte, Kosova po vuan mjaftueshëm prej tyre dhe ashpërsimi i këtyre sanksioneve do të ishte një dëmtim i mjaftueshëm për Kosovën”, tha Paçarizi.

Cilat janë masat e BE-së ndaj Kosovës?

Masat e BE-së ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).

Programi IPA, sipas Komisionit Evropian, është paraparë si “mënyrë përmes së cilës BE-ja përkrah reforma në ‘vendet në procesin e zgjerimit’ me ndihmë financiare dhe teknike”.

Kosova ka përfituar gjithsej 1.21 miliard euro nga ky program që nga viti 2007 deri në fund të vitit 2022. Ndërsa, nga programi Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, Kosova ka përfituar rreth 1.8 miliard euro nga viti 2009 deri më 2021.

Por, pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

Njoftimi për hapjen e urës në Kosovë erdhi pasi autoritetet e Kosovës mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë në veri, duke deklaruar se ato kanë operuar ilegalisht dhe pa licencë nga autoritetet e Kosovës, për çka edhe Perëndimi reagoi duke e quajtur këtë një hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

Në dy vjetët e fundit, Qeveria e kryeministrit Kurti ka punuar intensivisht për të shtrirë autoritetin në veri të Kosovës, gjë që ka rezultuar me rezistencë nga popullata lokale dhe me kritika nga komuniteti ndërkombëtar.

Disa nga vendimet e zbatuara përfshijnë riregjistrimin e automjeteve nga targat serbe në ato të Kosovës, ndryshimin e patentave, ndalimin e përdorimit të dinarit serb, si dhe mbylljen e disa institucioneve që funksionojnë në sistemin serb. Radio Evropa e Lirë

Qeveria ndan katër milionë euro për pagat e minatorëve

Qeveria e Kosovës ka ndarë katër milionë euro për pagat e minatorëve të kombinatit metalurgjik, Trepça, që gjendet në Mitrovicë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se kjo shumë është ndarë për të tejkaluar krizën aktuale, pasi “ndërmarrja nuk ka arritur t’i sigurojë pagat nga prodhimi”.

Që nga fillimi i muajit korrik, punëtorët e kësaj ndërmarrjeje e kanë ndërprerë punën, për shkak se nuk u janë paguar pagat për muajt qershor dhe korrik, si dhe për shkak të mungesës së shujtave ditore për ushqim.

“Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, tha Kurti në mbledhjen e mbajtur të Qeverisë të mërkurën.

Në Trepçë punojnë gjithsej 1.200 minatorë, derisa paga mesatare e tyre është 740 euro.

Sindikata e Punëtorëve të Trepçës, e konsideron të mjaftueshme si fillim ndarjen e këtyre mjeteve për ta tejkaluar krizën dhe për rifillimin e punës.

Kjo sindikatë ka paralajmëruar protestë për 14 gusht.

Ibrahim Januzi, kryetar i kësaj sindikate, pas vendimit të Qeverisë, tha për Radion Evropa e Lirë, se ende nuk ka biseduar me Këshillin Protestues për protestën e paralajmëruar, porse “më nuk ka arsye për protestë”.

Menaxhmenti i Trepçës, më 31 korrik, mosekzekutimin e pagave e ka arsyetuar në mungesë të mjeteve financiare dhe rënie të prodhimit.

Në një situatë të ngjashme, minatorët e Trepçës e kanë gjetur veten disa herë edhe gjatë vitit të kaluar.

Në fund të muajit tetor të vitit 2023, për dhjetë ditë me radhë ata qëndruan në grevë brenda minierës pikërisht për shkak të mosrealizimit të pagave dhe ankesave për kushtet e punës.

Produktet kryesore që Trepça prodhon janë koncentratet e plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve të tjera. Miniera e Stantërgut, që gjendet në rajonin e Mitrovicës, është vendburimi kryesor i nxjerrjes së xehes.

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare dhe 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje. Radio Evropa e Lirë

Qeveria e Kosovës vendos të strehojë më shumë gazetarë ukrainas

Në qendër të Prishtinës shihet një poster me mbishkrimin “Liri për Ukrainën”.

 

Qeveria e Kosovës ka vendosur ta rrisë numrin e gazetarëve ukrainas dhe familjeve të tyre të ngushta të cilëve u ofron strehim të përkohshëm në vend, si pasojë e luftës në Ukrainë.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti e miratoi të mërkurën ndryshimin e një vendimit të vitit 2022 për ta rritur numrin e gazetarëve ukrainas, të cilëve u ofron strehim të përkohshëm.

“Do të rritet numri i gazetarëve ukrainas, përfshirë anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre, të cilëve Republika e Kosovës do t’iu sigurojë mbrojtje të përkohshëm”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Në vitin 2022, Qeveria e kishte marrë një vendim për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas. Besohet se deri tani në Kosovë janë strehuar 13 gazetarë ukrainas.

Blerim Gashani, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, foli më në hollësi për strehimin e gazetarëve ukrainas, por nuk tregoi se për do të rritet numri i tyre.

“Kosova vazhdon të tregojë solidaritet ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke u ofruar mbrojtje të përkohshme gazetarëve ukrainas dhe familjeve të tyre të rrezikuar nga lufta në Ukrainë”, tha Gashani.

“Mbrojtja e përkohshme do të ofrohet në përputhje me ligjin për azil dhe do të ketë ndikim të menjëhershëm, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”, shtoi ai.

Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, ata do të jetë të detyruar ta respektojnë legjislacionin e Kosovës dhe do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që ky legjislacion ua garanton, sipas Gashani.

Kosova gjithashtu është rreshtuar krah Perëndimit, duke i vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur më 2022 në Ukrainë.

Aktualisht, mbi 6 milionë njerëz jetojnë si refugjatë jashtë Ukrainës.

Kjo luftë, e cila po vazhdon, sipas Kombeve të Bashkuara, ua mori jetën mbi 10.000 civilëve në Ukrainë.

Të paktën 40 për qind e popullsisë kanë nevojë për një lloj të ndihmës humanitare. REL

Kurti për urën në Mitrovicë: Do t’i vazhdojmë konsultimet dhe koordinimet me partnerët tanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët e Kosovës në lidhje me rihapjen e urës mbi lumin Ibër në veri.

“Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçmas kundër partnerëve ndërkombëtarë”, tha Kurti gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së tij të mërkurën.

Rihapja e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë. Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.

Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Kurtit për rihapjen në këtë kohë. BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

Ambasadori i amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të martën se ka rrezik të vërtetë lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë”, tha Hovenier.

Çështja e urës ishte edhe temë diskutimi mes Kurtit dhe komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash, të martën vonë.

“Me komandantin e KFOR-it biseduam për hapjen e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”, tha Kurti të mërkurën.

Pas takimit të së martës mes Kurtit dhe Ulutasit, KFOR-i tha se është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione.

“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibile në të gjithë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin ta rregullojë atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, thanë nga ky mision.

Ditë më parë KFOR-i tha se nuk dëshiron të spekulojë për ndonjë skenarë në të ardhmen, nëse institucionet e Kosovës i kërkojnë që të largojë praninë e saj nga ura mbi lumin Ibër.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha më 14 gusht se beson se Qeveria në Kosovë po planifikon “ta hapë me forcë” urën mbi Ibër.

“Jam i kënaqur me deklaratat e komandantit të KFOR-it. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, pati një bisedë me të. Shpresoj që të gjithë të jenë racional dhe të mos lejojnë që kjo të ndodhë”, tha Vuçeviq për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).

Ndërkohë, Ministria e Infrastrukturës e publikoi të martën më herët një raport fillestar për testimet e kryera në urë, duke thënë se është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan javën e kaluar kundër rihapjes së urës mbi Ibër. REL

Kurti flet me komandantin e KFOR-it për hapjen e Urës së Ibrit dhe sigurinë

Kryeministri  Albin Kurti, priti në takim Komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutas, në kuadrin e konsultimeve intensive dhe koordinimit të vazhdueshëm.

Siç njoftohet, gjatë takimit u diskutua rreth bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, institucioneve të sigurisë dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, në shërbim të ruajtjes së sigurisë dhe paqes në vend.

Ndër temat qendrore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme.

Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX.

Kryeministri u shpreh i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja dhe siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura.

Në këtë takim u diskutua dhe rreth ballafaqimit me zjarret në këto ditë të nxehta vere dhe ndihmës që KFOR-i do të mund të ofronte në shuarjen e tyre që nisën me fusha e arritën maleve. sn

Kurti i prerë: Nuk ka asnjë diskutim për këtë temë, Ura e Ibrit do të hapet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se hapja e urës në Ibër është një çështje që është përmbyllur në vitin 2016 dhe 2017 në Bruksel dhe se nuk ka më asnjë diskutim për këtë temë sepse, siç thotë ai, tani është nën juridiksionin e institucioneve të Kosovës.

Kurti ka thënë se për hapjen e urës duhet vetëm të merret konfirmimi i qëndrueshmërisë nga ministria përkatëse.

“Çështja e urës në Ibër është çështje e Kosovës, është një çështje që është përmbyllur sa i përket Brukselit në vitin 2016 dhe 2017 dhe ura duhet të hapet. Ne duam lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe sundimin e ligjit, paqen dhe sigurinë. Nga këndvështrimi ynë, ajo që duhet të presim është raporti për qëndrueshmërinë e urës. Kur ta shohim raportin, do të vlerësojmë se sa e qëndrueshme është ura”, ka thënë Kurti gjatë një vizite në punimet në rrugën Prizren-Tetovë.

Sipas tij, ura në Ibër është dashur të hapet që në janar të vitit 2017.

“Nuk është çështje diskutimi, është çështje hapjeje dhe në vitin 2016 kanë përfunduar të gjitha diskutimet dhe është thënë që ura duhet të hapet më 20 janar 2017. Tani nuk jemi as në janar as në 2017, por në gusht 2024”, theksoi Kurti.bw

MASHTI do t’u ndajë mjete edhe sivjet prindërve të nxënësve për blerjen e librave

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI) do t’ua transferojë paratë prindërve edhe sivjet, në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor, tha të martën ministrja Arbërie Nagavci.

Ky është viti i dytë radhazi që Ministria do t’u ndajë mjete në llogaritë e tyre bankare prindërve që ata t’i blejnë vetë librat shkollore për fëmijët e tyre në shkollë fillore.

“Edhe sivjet, tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen si në praktikën e vitit të kaluar duke subvencionuar prindërit”, tha Nagavci në një konferencë për media.

Ajo tha se prindërit mund të fillojnë të aplikojnë online qysh nga e mërkura e 14 gushtit në platformën E-Kosova për rimbursim.

Nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë do të subvencionohen me nga 80 euro, ndërsa ata nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë do të subvencionohen me 110 euro, njoftoi ajo.

Nagavci zbuloi se në vend do ta ndjekin mësimin nga klasa e parë deri në klasën e pestë 218.696 nxënës. Por, ajo nuk tregoi numrin e përgjithshëm të nxënësve nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

Ministria i kishte blerë librat direkt nëpër shtëpi botuese, nga ku ato u shpërndante nxënësve nëpër shkolla, prej vitit 2008 deri vitin e kaluar, kur e ndryshoi strategjinë.

Në vendimin e saj për ndryshimin e praktikës vitin e kaluar, Nagavci kishte thënë se ndryshimi ndodhi për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, duke thënë se shtëpitë botuese kishin ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.

Vendimi i vitit të kaluar ishte kundërshtuar nga nga opozita, e cila kishte kërkuar dorëheqjen e ministers Nagavci, si dhe nga vetë Këshilli i Prindërve i Kosovës.

Viti i ri shkollor në Kosovë do të nisë më 1 shtator. REL

Ekspertët e komunikacionit optimistë se Ura e Ibrit do të hapet

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka deklaruar se po presin që gjatë ditës të publikohet draft-raporti për stabilitetin e Urës së Ibrit. Ai për KosovaPress, thotë se ura është stabile, megjithatë shton se po presin vlerësimin që po bëhet në mënyrë shkencore. Durmishi nuk ka ofruar detaje të mëtejshme për hapat që do të ndërmerren pas publikimit të raportit, në rast se do të jetë pozitiv. Ekspertë të komunikacionit thonë se nuk ka arsye që Ura e Ibrit të jetë e mbyllur për qarkullim. Sipas tyre, ura ka kohë që nuk i është nënshtruar ngarkesave të rënda të trafikut, për çka nuk presin rezultat negativ nga testimet që janë bërë.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha për KosovaPress, se raporti pritet të publikohet sot gjatë ditës.

“Sot gjatë ditës e dorëzon draft-raportin…unë po pres që të dal raporti, në momentin që del raporti do ta publikojmë….Në qoftë se raporti është negativ atëherë në bazë të raportit ne i bëjmë vlerësimet se si duhet të intervenojmë që ta bëjmë urën stabile, por siç e kam thënë edhe atë ditë që kam qenë në vizitë te ura, në bazë të asaj që unë kam parë edhe si inxhinier duke qenë me profesion inxhinier, aty shihet që ura është shumë stabile. Mirëpo, po e presim raportin, raporti është me një ekspertizë që bëhet vlerësimi në bazë shkencore dhe në momentin që e kemi raportin do e bëjmë publik”, deklaroi ai, transmeton Klankosova.tv.

I pyetur se kur do të hapet Ura e Ibrit në rast se raporti do të jetë pozitiv, Durmishi nuk ka komentuar një gjë të tillë.

“Kur hapet ura unë nuk e di, por unë mund ta prezantoj raportin sepse detyra ime ka qenë që ta implementojmë një kontratë, e cila ka të bëjë me përcaktimin e stabilitetit të urës mbi lumin Ibër. Dhe këtë po e bëjmë, në momentin që e kemi raportin ne e publikojmë. Mandej se kur hapet ura është çështje tjetër që do të informoheni me kohë dhe për këtë”, shton zëvendësministri Durmishi.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti nuk pret që të ketë probleme në aspektin teknik dhe profesional të urës.

“Ka mundësi që të lëshohet vetëm për automjetet e udhëtarëve, mirëpo praktikisht nuk është në rregull. Ne e pamë edhe një testim live, një testim real ku hypën kamionët mbi urën, kaluan dhe ishin të ngarkuar, ku pesha e përgjithshme e kamionëve arrin deri në 40 ton, mbi 40 ton nuk lejohet në asnjë rrugë të Kosovës. Nuk e di a ka qenë 40-tonëshi aty apo jo, u shiheshin kamionët që praktikisht e binë një gjendje të tillë prej 40 tonëshit. Mendoj që është në rregull, nëse dyshojmë diçka, atëherë mund t’i përdorim vetëm automjetet e udhëtarëve, e në qoftë se dyshojmë edhe te automjetet e udhëtarëve i heqim barrierat dhe e lëmë deri në një kohë kur të testohet, mirëpo ura le të hiqet, barrierat e urës le të hiqen sepse kanë karakter politik”, deklaron ai.

Sipas tij, testimet do të duhej të ishin bërë para se të merret vendimi për hapjen e Urës së Ibrit.

“Ka mundësi që dëshirojnë të fitojnë kohë për arsye politike që e kanë mbrapa. Dhe unë besoj që kjo është arsye komplet. Në qoftë se dalin me një rezultat të kundërt që ura nuk e përballon, atëherë unë ua kisha dhënë një këshillë tjetër, kisha thënë heqni barrierat dhe po lëvizim në këmbë, në këmbë e përballon se e kemi testuar që sa herë edhe nuk ka vend tani për arsye të tjera që të themi ‘jo nuk po e përballon ‘. Edhe kësisoj ose duhet me dal ekspertë të huaj që e bëjnë testimin e urës sepse vetëm me një dikush mund të mos e besojë që është ashtu sepse trumbetohet që po hapet ura e pastaj për arsye teknike po mbyllet e po hapet për shkaqe që shtetet e QUINT-it nuk po e dëshirojnë këtë”, shton ai.

As inxhinieri i trafikut, Visar Baxhuku nuk pret që raporti të jetë negativ sa i përket stabilitetit të Urës së Ibrit.

“Është kohë e gjatë që nuk është përdorur dhe nuk i është nënshtruar ngarkesave të rënda të trafikut, gjë që nuk pres ndonjë rezultat negativ. Por unë më shumë isha lidhur me pjesën e qarkullimit, nëse e shohim hartën dhe zhvillimin e qytetit të Mitrovicës, është arterie kryesore që lidh dy anët e qytetit, në aspektin e qarkullimit. Kështu që në aspektin e trafikut ajo ka qenë arteria kryesore e qarkullimit të njerëzve, të mallrave që realisht nuk do të duhej mbyllur. Tani është koha e fundit që duhet të hapet, asgjë negative nuk ka në pjesën e lëvizjes së njerëzve dhe të mallrave… Pa hyrë në detaje tek pjesa e shpenzimeve që krijohen tek përdoruesit, pjesa e ambientit, lirimi i gazrave, kolonat, gjitha janë negative pastaj se për çfarë e ka rolin. Edhe në dy anët e urës janë të rregulluara dy kryqëzime rrethore që mundësojnë shkëmbime shumë të mira”, deklaron ai.

Sipas tij, çdo urë do të jetë e hapur dhe t’iu shërbejë njerëzve pa marrë parasysh diskutimeve politike.

Ditëve të fundit janë bërë matje e testime me mjete të rënda, po ashtu janë ngjyrosur edhe muret e urës mbi lumin Ibër.

Përndryshe, sot u raportua se Bashkimi Evropian planifikon që “statusin” e Urës së Ibrit në Mitrovicë ta vendosë në agjendën e takimi të ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi.

Fillim i ri për Katalonian pas betimit të Salvador Illas si president

Salvador Illa në ceremoninë e betimit si president i Katalonias

 

Politikani socialist, Salvador Illa, është betuar të shtunën si president i Qeverisë rajonale të Katalonjës, në një ceremoni të mbajtur në pallatin qeveritar në Barcelonë.

“Duke marrë pozitën sot, jam duke trashëguar shpresat e popullit të Katalonjës”, ka thënë 61-vjeçari, i cili ka bërë emër si ministër spanjoll i Shëndetësisë, gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit.

Ceremonia e inaugurimit është mbajtur vetëm dy ditë pasi lideri separatist i Katalonjës, Carles Puigdemont – ndaj të cilit është lëshuar fletarrestim – e ka mbajtur një fjalim në qendër të Barcelonës.

Ai, më pas, ka ikur, pavarësisht prezencës së madhe policore.

Të premten, Puigdemont ka thënë në X – platformë e njohur më parë si Twitter – se është kthyer sërish në Belgjikë, ku ka jetuar prej ikjes fillestare, më 2017.

Në nisje të ceremonisë së inaugurimit, Illa ka pasur qëndrim të butë ndaj paraardhësve të tij separatistë.

“Nuk kam dyshim që të gjithë presidentët paraprakë kanë ardhur në këtë zyrë me qëllimet më të mira, për ta bërë Katalonjën një shtet më të mirë”, ka thënë ai, duke përfshirë edhe Puigdemontin.

Ndonëse Partia Socialiste e Illas i ka fituar zgjedhjet në maj, ajo duhet të ketë mbështetjen e partisë, E majta republikane e Katalonjës, dhe, Aleancës Comuns, për të qeverisur.

Të enjten, 68 prej 135 anëtarëve të Parlamentit rajonal në Barcelonë kanë votuar në të mirë të Illas.

Mediat spanjolle e kanë konsideruar fitoren e tij si fillim të ri për rajonin, i cili është tronditur prej mosmarrëveshjeve në kërkesën për pavarësi, që gati 10 vjet.

Megjithatë, Illa pritet ta ketë të vështirë që të qetësojë situatën dhe të përputhë politikën e Spanjës me kërkesën e Katalonjës për pavarësi.

Ndonëse është shpallur një amnisti për separatistët katalonas, vendimi nuk ka vlejtur për Puigdemontin, pasi ai përballet me akuza për pasurim personal.

Illa i ka bërë thirrje gjyqësorit spanjoll që vendimi për amnisti të vlejë edhe për Puigdemontin, “shpejt dhe pa asnjë arsyetim”. REL

MPJD konfirmon mbërritjen në Kosovë të trupit të pajetë të Faton Hajrizit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bëri të ditur se ka arritur në Kosovë trupi i pajetë i shtetasit të Kosovës, Faton Hajrizit, që u vra në Lloznicë të Serbisë.

“Pas mbërritjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës po kryejnë procedurat e mëtejshme mjeko-ligjore për identifikimin dhe verifikimin e tij”, tha MPJD në njoftim.

Një ditë më herët, MPJD-ja njoftoi se Prokuroria e Qarkut të Beogradit kishte dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të Hajrizit. Ky institucion tha se avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, dhe ambasadori Jetish Jashari, po kryenin procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë.

Hajrizi u vra nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik.

Ai ishte arratisur nga një burg në Kosovë më 6 korrik dhe u bë i dyshuar për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Më 23 korrik, Arianit Koci, avokat nga Kosova, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ishte autorizuar nga familja Hajrizi për t’u angazhuar në procedurat e tërheqjes së trupit nga Serbia.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi në korrik se dorasi i dyshuar i policit u vra në vendin e quajtur Banja Kovilaça, pasi autoritetet serbe kishin qenë në kërkim të tij që nga vrasja e policit.

Sipas tij, ai ishte fshehur buzë lumit Drina, duke kërkuar një mënyrë për ta kaluar atë.

Serbia ka kërkuar që Gjermania të ekstradojë vëllain e Fatonit, Artanin, pasi në vendin e ngjarjes, u gjetën dokumente në emër të tij.

Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij. Artan Hajrizi është paraqitur para autoriteteve në Gjermani – ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën në Gjermani. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.REL

Ministri Krasniqi: Absurde që Ura e Ibrit të mbahet e mbyllur, hapja e saj s’është kundër askujt

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se është absurde që ura mbi lumin Ibër të vazhdojë të mbahet e mbyllur.

Gjatë fjalës së tij në takimin e organizuar nga komuna e Mitrovicës së Veriut me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale, ai shtoi se hapja e kësaj ure nuk do të jetë kundër askujt, njofton Klankosova.tv.

“Ritheksoj siç thuhet edhe në planin e BE-së, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovë. Në atë plan thuhet se rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve të të gjithë qytetarëve të veriut dhe jugut, do të kontribuojë në shkëmbim dhe mirëkuptim. Jo vetëm që nuk ka arsye por tashmë është absurde vazhdimi i mbajtjes së urës mbyllur. Edhe kjo urë duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Hapja e saj nuk do të jetë kundër askujt, jemi të bindur që liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk rrezikon paqen dhe sigurinë”, u shpreh ministri, njofton Klankosova.tv.

Pengoi punëtorët që po lyenin Urën e Ibrit, policia arreston politikanin serb Arsenijeviq

Aleksandar Arsenijeviq nga partia Demokracia Serbe është arrestuar në veri të Kosovës të Mitrovicës.

Arrestimin e tij e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Elshani tha për REL se Arsenijeviq ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ka refuzuar urdhrat policore.

Ai është arrestuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, ku punëtorët e komunës ishin duke lyer urën.

Arrestimi i Arsenijeviqit u bë në ditën kur në Mitrovicë të Veriut mbahet një debat për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Në debat do të marrin pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të komunës së Mitrovicës së Veriut, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në të për “shprehur shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit”.

Qeveria e Kurtit, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. REL

Ministrat vizitojnë veriun, Sveçla: Hapja e urës së Ibrit nuk është çështje për dialog

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, iu përgjigj vendeve të QUNIT-it dhe KFOR-it duke thënë se Kosova dhe Serbia kanë diskutuar më 2016 për urën e Ibrit dhe janë pajtuar për hapjen e saj.

Ndërkombëtarët janë shprehur kundër hapjes së urës që bashkon Mitrovicën jugore me atë veriore me shqetësimin për rritje të tensioneve. Një protestë kundër hapjes u mbajt edhe nga serbët në veri.

“Kjo çështje është mbyllur më 2016, nuk është çështje e dialogut fare, është çështje e të drejtës për t’u hapur dhe është çështje e vendimit që është publik”, tha Sveçla.

Kompania e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për matjet e Urës së Ibrit ka vijuar punën edhe gjatë së mërkurës për të konfirmuar nëse duhen bërë ndërhyrje para se të hapet për qarkullimin e veturave.

Inspektimi do të jetë në dy faza dhe hapja e urës do të varet pikërisht nga raportet e kësaj kompanie.

Për shqetësimet e banorëve serbë për hapjen e urës Qeveria ka organizuar një takim paraditen e së enjtes.

“Është momentum shumë i mirë të diskutojmë për të gjitha brengat që qytetarët i kanë nga mundësia e hapjes së urës për shkak se ura është sot e hapur për këmbësorë, kjo duhet të jetë e hapur në kapacitete e plotë të saj dhe nesër do të mund të përgjigjemi në secilën brengë që qytetarët e kanë për çështjen e sigurisë dhe raporteve ndër etnike”, u shpreh ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi.

Në lidhje me protestën e serbëve, Sveçla tha se është e drejtë demokratike por përfaqësojnë të gjithë qytetarët, edhe ata që sot nuk kanë qenë në sheshin e Mitrovicës veriore.

“Ata kanë të drejtë të protestojnë, është e drejtë demokratike, nuk ka asnjë telashe”.

Përmes një komunikate për media, KFOR paralajmëroi përsëri të mërkurën se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës. sn

Serbët protestojnë në Mitrovicë të Veriut kundër hapjes së urës mbi Ibër

Në Mitrovicën e Veriut, pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, ka filluar protesta e pjesëtarëve të komunitetit serb të cilët po kundërshtojnë hapjen e saj për trafik.

Kjo urë ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe.

Në periudhën pasluftës, kjo urë ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’u kundërshtuar përpjekjeve të Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për trafik.

Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafikun në këtë moment. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Lexoni edhe këtë:

KFOR-i pas inspektimeve tek ura e Ibrit: Nuk do të hezitojmë të merremi me çdo zhvillim që mund të prekë stabilitetin

Perëndimi nuk e mbështet hapjen e urës në Mitrovicë, Kurti insiston

Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Çfarë parashohin marrëveshjet e Brukselit për urën mbi Ibër?

Në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, Kosova dhe Serbia më 2014 u pajtuan për hapjen e urës mbi lumin Ibër për trafik. Parashihej i ashtuquajturi revitalizim i urës, me qëllim të heqjes të të gjitha barrikadave dhe funksionalizimit të urës.

Barrikadat e para mbi urë u vendosën nga serbët lokalë në vitin 2011, për të kundërshtuar shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri të vendit.

Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me mbjelljen e pemëve, që autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut, të udhëhequra nga Lista Serbe e quajtën “Parku i Paqes”.

Ky park u hoq në vitin 2016, pas çka ura duhej të hapej për trafik. Kosova dhe Serbia të njëjtin vit ranë dakord për një plan të ri zbatimi, që synonte tejkalimin e mosmarrëveshjeve rreth interpretimeve të ndryshme të konkluzioneve të mëparshme.

Sipas planit të ri të zbatimit, hapja e plotë e urës duhej të ndodhte në janar të vitit 2017. Megjithatë, punimet për revitalizimin e urës përfunduan vetëm në qershor të vitit 2018. Në këtë projekt u investuan 1.5 milion euro.

Ura ende nuk është e hapur për automjete, por vetëm për këmbësorë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, gjithashtu më 1 gusht përsëriti qëndrimin e BE-së se çështja e hapjes së urës në Mitrovicë duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut, duke pasur parasysh që për këtë ekziston një marrëveshje.

KFOR-i gjithashtu deklaroi se nuk do të hezitojë të reagojë nëse ekziston rreziku që ngjarjet të ndikojnë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Në protestë janë të pranishëm edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit. 

A mund të hapet ura në Mitrovicë pa pajtimin e KFOR-it?

Kjo parti më herët kishte deklaruar se ura nuk mund të hapet pa konsultime dhe pëlqimin e shumicës serbe që jeton në anën veriore të urës.

Asamblistët e Kuvendit të Komunës së Mitrovicë të Veriut në prill të vitit të kaluar miratuan vendimin për hapjen e urës mbi Ibër, i cili më pas u dërgua Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, në fund të majit tha se për zbatimin e këtij vendimi tani janë përgjegjëse institucionet qendrore, KFOR-i dhe Bashkimi Evropian.

Ai theksoi se me këtë vendim duhet të bien dakord edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Jugut. Radio Evropa e Lirë

KFOR-i paralajmëron kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë

VOA

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, thanë të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duhet të merret në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa paralajmëroi së do të trajtojë çdo zhvillim që ndikon mbi sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale.

Forcat paqeruajtëse thanë se mëngjesin e së martës komandanti i KFOR-it Özkan Ulutaş, është njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës për një inspektim teknik të afërt në urën kryesore mbi lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse ndërmjet dy komunave të Mitrovicës, asaj të veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut të banuar me shumicë shqiptare.

Njësitë e KFOR-it mbajnë një prani të përhershme në urë dhe vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth, për të garantuar qëndrueshmëri dhe siguri, në dobi të të gjitha komuniteteve lokale. Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurt dhe qëndrueshmërinë rajonale, në pajtim me mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara”, thuhet në një komunikatë të forcave paqeruajtëse.

KFOR-i përsëriti qëndrimin se çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, duhet të merret në kuadër të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Javën e kaluar, qeveria e Kosovës u paraqiti diplomatëve perëndimorë në Prishtinë planin për hapjen e urës, i cili, siç thuhet, parasheh “testimet për qëndrueshmërinë infrastrukturore të saj, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin duke siguruar qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe një fushatë informimi gjithëpërfshirëse mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”.

Por, diplomatët nuk e mbështesin këtë synim. Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian, i thanë kryeministri të Kosovës Albin Kurti, se qeveritë e tyre “në këshillim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin aktual të urës së Mitrovicës në këtë kohë“.

Ura e cila kontrollohet nga forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, është e hapur vetëm për lëvizjen e këmbësorëve por jo edhe të makinave, ndonëse sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, ajo është dashur të hapet.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të martën se “nuk ka arsye që ura të mos hapet”, duke shtuar se kur do të ndodhë kjo “është çështje e vlerësimit të ekspertëve”.

Synimet për hapjen e urës kundërshtohen nga Beogradi i cili akuzon Prishtinën për trysni ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb në veri.

Të hënën autoritetet mbyllën degët e Postës së Serbisë në veri, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe “zhgënjimin” e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që i cilësuan veprimet si “të njëanshme” dhe kërkojnë zgjidhjen e çështjeve të hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

KFOR-i pas inspektimeve te ura e Ibrit: Nuk do të hezitojmë të merremi me çdo zhvillim që mund të prekë stabilitetin

Makinat e KFOR-it amerikan janë parë të martën te ura kryesore mbi Ibër, ndonëse aty kanë prezencë të përhershme karabinierët italianë.

 

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka përsëritur të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas deklaratës, KFOR-i nuk do të hezitojë që të trajtojë secilin zhvillim që mund të ketë ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.

Reagimi i KFOR-it vjen pas kryerjes së një vizite të zyrtarëve të Kosovës në atë pjesë, të cilët insistojnë që ura mbi Ibër do të hapet.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë përgjatë vizitës në Mitrovicë të Veriut se “nuk ka arsye që ura të mos hapet’.

“Tash, kur do të hapet është çështje e vlerësimit të ekspertëve”, ka thënë ai.

Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës beson se liria e lëvizjes duhet të sigurohet në të gjithë territorin, por Serbia e konsideron hapjen e urës si “provokim”.

Vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia), kanë bërë të ditur ditë më parë se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë kohë.

Pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar që ura duhet të hapet dhe që hapja e saj nuk është kundër askujt.

“Ajo është në shërbim të të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”.

Qeveria ka bërë të ditur se do t’i vazhdojë diskutimet dhe konsutimet për planin e hapjes së urës.

“Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”.

Shqiptarët në Mitrovicë të Jugut dhe serbët në Mitrovicë të Veriut – me të cilët ka biseduar më parë Radio Evropa e Lirë – janë të ndarë nëse ura duhet të hapet.

Për shqiptarët, hapja e urës do të ishte “gjë e mençur”, ndërsa për serbët vendim që rrit tensionet. REL

Policia konfirmon mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri

Zyrtarë policorë te objekti i Postës së Serbisë në Zveçan.

 

Policia e Kosovës ka konfirmuar të hënën për Radion Evropa e Lirë se i ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni të nisur më herët gjatë ditës.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

“Informacioni ka rezultuar të jetë i saktë me ç’rast Policia ka njoftuar Prokurorin e Shtetit dhe tutje vazhdojmë sipas autorizimeve të tij”, është thënë mes tjerash në përgjigje.

Momenti i mbylljes së objektit të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut.

Momenti i mbylljes së objektit të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut.

Një punonjës i Postës në Zveçan i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se zyrtarët policorë kanë kontrolluar dokumente.

Zyrtarë policorë duke dalë me dokumente prej zyrës së Postës së Serbisë në Zveçan.

Zyrtarë policorë duke dalë me dokumente prej zyrës së Postës së Serbisë në Zveçan.

Një punëtor i Postës në Mitrovicë të Veriut i ka thënë REL-it se, nuk ka hasur në asnjë problem gjatë aksionit policor, që policia ka qenë korrekte dhe që askush nuk është ftuar për intervistim.

Kryetari i ARKEP-it, Nazim Rahimi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se institucioni që udhëheq ai, i ka njoftuar “institucionet relevante të Kosovës se Posta e Serbisë është duke operuar në mënyrë ilegale në territorin e Kosovës”.

Megjithatë, ai nuk ka treguar numrin e zyrave të Postës së Serbisë që operojnë në Kosovë.

“Ne mbulojmë vetëm pjesën e domenit të shërbimeve postare, ofrimin e shërbimeve të postës, të letrave dhe pakove”, ka thënë ai.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – e ka konsideruar aksionin si “vazhdim të planit për spastrim etnik të veriut nga çdo gjë që ka prapashtesën serbe”.

“Heqja e shërbimeve postare pas heqjes së dinarit është goditja më e rëndë për funksionimin e institucioneve serbe dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët në këto zona”, është thënë në deklaratën e kësaj partie.

“Kurti thjesht po vlon nga zemërimi që pas të gjitha veprimeve antiserbe dhe shtypjes së popullit serb, serbët ende qëndrojnë sfidues në veri”, është thënë mes tjerash në deklaratë, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Policia e Kosovës gjatë aksionit në Zveçan.

Policia e Kosovës gjatë aksionit në Zveçan.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka konsideruar aksionin e Policisë së Kosovës si “kundërligjor” dhe e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se kështu “provokon drejtpërdrejt një konflikt të armatosur”.

“Është e qartë se ai dëshiron të shkaktojë konflikte në terren me çdo kusht, dhe kjo po ndodh para syve të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Petkoviq përmes një deklarate.

Sipas tij, aksioni policor është kryer “jashtë të gjitha marrëveshjeve” të arritura midis Kosovës dhe Serbisë dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë.

“Ekziston një shkelje brutale e marrëveshjeve dhe ky aksion i Prishtinës është kryer në kundërshtim me marrëveshjen e telekomunikacionit të vitit 2015, e cila thotë qartë se të gjitha çështjet e shërbimeve postare do të zgjidhen ekskluzivisht në kuadër të dialogut”, ka thënë mes tjerash ai.

Edhe pse shërbimet postare nuk kanë qenë pjesë e këtyre bisedimeve, të dyja palët patën rënë dakord që për to të diskutohej në një fazë të mëvonshme.

Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim marrëdhëniesh, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Çfarë bën Posta e Serbisë në Kosovë?

Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet.

Gjithashtu, përmes Postës së Serbisë, në Kosovë kryhen edhe pagesa të ndryshme për shërbimet që marrin qytetarët nga institucionet paralele, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, për shembull, pagesa për nxjerrjen e dokumenteve serbe, pagesa për provime, dërgesa të parave, e tjera.

Përveç komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – Posta operon edhe në zonat e banuara me serbë, në jug të Ibrit.

Puna e Postës është vështirësuar prej fillimit të këtij viti, për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili e ka bërë euron si valutë të vetme për kryeje të pagesave me para të gatshme.

Kështu, është ndaluar përdorimi i i dinarit serb.

Serbia pretendon se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për banorët serbë në Kosovë.

Mekanizmi ndërkombëtar pati kritikuar autoritetet e Kosovës për marrjen e këtij vendimi, duke thënë se nuk kanë ofruar alternativa të mjaftueshme për serbët lokalë.

Radio Evropa e Lirë

Në Kosovë arrestohen pesë të dyshuar për krime lufte

Pallati i Drejtësisë në Prishtinë.

 

Autoritetet kosovare i kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile mëngjesin e së shtunës në qytetin juglindor Gjilan, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha në një reagim se të arrestuarit janë serbë të Kosovës dhe i hodhi poshtë akuzat e autoriteteve kosovare, duke e kritikuar kryeministrin e Kosovës për “terrorizimin e serbëve të Kosovës”.

Në një njoftim për media, Prokuroria tha se ata u arrestuan gjatë një aksioni të përbashkët të institucioneve të sigurisë, që u zhvillua pas një hetimi disamujor.

Ata dyshohet se ishin përfshirë në krime lufte si, vrasjen, plagosjen dhe maltretimin e civilëve në fshatrat Llovcë, Pogragjë dhe Uglar në prill të vitit 1999 gjatë luftës së fundit në Kosovë, sipas njoftimit.

“Në kuadër të këtij aksioni… janë ndaluar personat me inicialet: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh., me dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999… me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare”, thuhet në njoftim.

Prokuroria i akuzoi ata edhe për “rrëmbim, përdhunim, rrahje, troturim fizik dhe psiqik të civilëve, si dhe për plaçkitje, shkatërrim dhe djegie të pronave të shqiptarëve dhe dëbimin e tyre”.

Prokuroria shtoi se, për personat e lartcekur, do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme procedurale ligjore, derisa ndaj kësaj çështjeje penale do të vazhdojë me zhvillimin e hetimeve.

Pretendimet e Prokurorisë kosovare janë mohuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila në një reagim tha në një reagim se të arrestuarit janë njerëz “të cilët kanë jetuar paqësisht për vite, pa probleme në pragjet e dyerve të tyre”.

Ajo gjithashtu e akuzoi Policinë e Kosovës për përdorimin e “dhunës” gjatë arrestimeve, pa dhënë ndonjë dëshmi për këtë.

Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se ka ngritur 33 akuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Kosovë: Perëndimi nuk e mbështet hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë

VOA

Ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, tha të premten se vendet kryesore perëndimore dhe NATO-ja, nuk i mbështesin synimet për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse ndërmjet dy komunave të Mitrovicës, asaj të veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut të banuar me shumicë shqiptare.

Ambasadori Hovenier i bëri këto komente pas një takimi të diplomatëve perëndimorë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në këshillim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin aktual të urës së Mitrovicës në këtë kohë“, tha ambasadori Hovenier.

Ura e cila kontrollohet nga forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, është e hapur vetëm për lëvizjen e këmbësorëve por jo edhe të makinave, ndonëse sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, ajo është dashur të hapet.

Nuk pati një reagim të menjëhershëm të qeverisë së Kosovës e cila muajin e kaluar tha se synon hapjen e urës, duke theksuar se një veprim i tillë nuk është i drejtuar kundër askujt.

Por mundësia e hapjes së urës është kundërshtuar nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.

Bashkimi Evropian ka ritheksuar në disa raste se çështja e urës duhet të zgjidhet në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

Të enjten presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, tërësisë tokësore dhe kushtetutshmërisë së vendit.

“(Presidenti serb Aleksandar) Vuçiç nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, shkroi presidentja Osmani.

Qeveria i kërkon menaxhmentit të Trepçës t’i ulë shpenzimet dhe ta rrisë prodhimin

Qeveria e Kosovës ka thënë se është e “përkushtuar” për të përkrahur ndërmarrjen Trepça, për zhvillim dhe rritje të potencialit ekonomik, por i bëri thirrje menaxhmentit të saj t’i ulë shpenzimet dhe ta rrisë prodhimin.

Ky reagim vjen pasi minatorët e kombinatit metalurgjik Trepça, që gjendet në Mitrovicë, e kanë ndërprerë punën në fillim të këtij muaji, për shkak se nuk u janë paguar rrogat për muajin qershor, si dhe për shkak të mungesës se shujtave ditore për ushqim.

Kryetari i Sindikatës se minatorëve, Ibrahim Jonuzi, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se minatorët nuk do ta rifillojnë punën, nëse s’iu paguhen pagat.

Kryeshefi ekzekutiv i Trepçës, Bashkim Kurti, tha se ka kërkuar mjete shtese nga qeveria për të ekzekutuar pagat e minatorëve.

Në një deklaratë për media, Qeveria nuk specifikoi nëse do të ndajë mjete shtesë për pagat, por tha se “përkrahja varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe të rifillojë rritja e prodhimit.”

Ajo tha se në gjysmën e parë të këtij viti i ka ndarë një subvencion prej 3. 3 milionë eurosh, por “ndërmarrja ka operuar më humbje si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme,”

Këto mjete nuk u kanë mjaftuar për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve.

“Qeveria e Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë rritje të prodhimit të të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme,” thuhet në komunikatë për media.

Në Trepçë punojnë gjithsej 1.200 minatorë, derisa paga mesatare e tyre, është 740 euro.

Në një situatë të ngjashme, minatorët e Trepçës e kanë gjetur veten disa herë edhe gjatë vitit të kaluar.

Në fund të muajit tetor të vitit 2023, për dhjetë ditë me radhë ata qëndruan në grevë brenda minierës pikërisht për shkak të mosrealizimit të pagave dhe ankesave për kushtet e punës. REL

Kosova, marrëveshje me Fondin Saudit për rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë

Prishtinë – Ministria e Financave e Kosovës dhe ajo e Infrastrukturës kanë nënshkruar marrëveshjen me Fondin Saudit për Zhvillim për përmbylljen e punimeve të magjistrales Prishtinë-Mitrovicë.

Me këtë rast, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se marrëveshja kap vlerën e rreth 14 milionë eurove.

“Sot jemi mbledhur që të përmbyllim edhe pjesën tjetër të financimit për këtë projekt. Mesatarja ditore në këtë rrugë është në nivelin për 27 mijë automjete. Marrëveshja kap vlerën rreth 13 milionë euro. Pjesa tjetër është bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës. Do të doja të falënderoja Fondin Saudit për Zhvillim për mbështetjen dhe të ritheksoj përkushtimin e Qeverisë për thellimin e partneritetit me Mbretërisë së Arabisë Saudite”, deklaroi ai.

Ndërsa, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se ky projekt është i rëndësishëm duke marrë parasysh vëllimin e trafikut. Shtoi se projekti ndikon në përmirësim të jetës së qytetarëve.

“Me këtë marrëveshje, Fondi Saudit për Zhvillim do të mbështes projektin për investimin e rrugës nacionale Prishtinë – Mitrovicë, me një kredi shtesë, ku përfshihet segmenti nga Smrekonica deri në Mitrovicë me gjatësi prej 5 kilometrash”, Aliu.

Për rëndësinë e këtij projekti foli edhe drejtori ekzekutiv në Fondin Sovran për Zhvillim, Sultan A.Almarshad.

“Ky është një bashkëpunim i vazhdueshëm mes Kosovës dhe Fondit Saudit. Marrëveshja që do të nënshkruhet sot është vazhdim i projektit që është financuar nga fondi që është bërë në vitin 2013. Kjo zgjatje do ta zgjeroj rrugën në dy anët në dy autoudhë. Do të zvogëloj trafikun dhe do të zvogëloj aksidentet”, shtoi ai. sn

KFOR-i publikon video nga kufiri me Serbinë: Po patrullojmë rregullisht

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, sot ka publikuar një video nga Mitrovica e Veriut dhe nga kufiri i Kosovës me Serbinë për të treguar se në atë zonë po patrullojnë vazhdimisht.

“Vija Kufitare kërkon monitorim të vazhdueshëm për të garantuar siguri dhe stabilitet. Patrullat e rregullta dhe të sinkronizuara të kryera nga KFOR-i dhe njësitë e Forcave të Armatosura Serbe përfaqësojnë një përpjekje kyçe për këtë qellim”, thuhet në videon e publikuar nga KFOR-i.

KFOR-i rithekson se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

“NATO, KFOR, bashkë më të forte”, thuhet në postimin e KFOR-it në rrjetet sociale.bw

Aivo Orav emërohet ambasador i ri i BE-së në Kosovë

Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar diplomatin estonez, Aivo Orav, në postin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Kosovë.

Sipas BE-së, ai do të marrë detyrën më 1 shtator 2024 dhe do të ketë një mandat fillestar prej dy vjetësh, duke pasuar Tomas Szunyog, që ka qenë në këtë post që nga viti 2020.

“Orav do të ketë rol udhëheqës në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike, e cila bashkëpunon me rajonin. Ai po ashtu mbështet perspektivën evropiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në. Ai do të monitorojë, ndihmojë dhe lehtësojë përparimin në fushën politike, ekonomike dhe prioritetet evropiane”, tha BE-ja.

Shefi i ardhshëm i zyrës së BE-së në Kosovë ka përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi më herët ka shërbyer si shef i delegacionit të bllokut evropian në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi.

Orav aktualisht është përfaqësues i përhershëm i Estonisë në BE. REL

Sulmi terrorist serb në Banjskë, Prokuroria Speciale shumë shpejt me akuza ndaj Radoiçiçit

Kur po bëhen 11 muaj nga sulmi terrorit i 24 shtatorit në veri të Kosovës, organi i Prokurorisë Speciale të Kosovës ende nuk ka përmbyllur hetimet për të ngritur një akuzë për këtë rast, si më të rëndin që ka përjetuar shteti i Kosovës.

Retorika në gjuhën politike se duhet të ndëshkohet Serbia, si shtet nxitës, dirigjues dhe sponsorizues nuk ka marrë përgjigje. Lidhur me përplasjet e fundit apo deklarimet e qeverisë, eksperti i çështjeve penale Arbër Jashari, thotë se hetimet janë në përfundim.

Sa i përket arsyeve që kanë çuar në vonesën e ngritjes së aktakuzës, Jashari thekson “se ky është rasti më i komplikuar që ka drejtësia e vendit”.

Sa i përket shqetësimeve të kryeministrit, Jashari shprehet: “Prokuroria për çështjet të cilat nuk janë fare çështje penale, e thirr ministren dhe e mban dy ditë, ja humb dy ditë të punës që mund të jenë shumë të dobishme në programin e saj.”

Se ku saktësisht ndodhet Radoiçiç, nuk është e qartë, por presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha pas sulmit “se ai gjendet në territorin e Serbisë”.

Në fund të vitit të kaluar, në bazë të një kërkese të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kosovës, organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrest ndërkombëtare për Milan Radoiçiçin. sn

Jep dorëheqjen drejtoresha e përgjithshme e RTK Zana Spahiu

Prishtinë – Ushtruesja detyrës së drejtoreshës se përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu ka ofruar dorëheqje nga kjo pozitë.

Dorëheqja e saj do të jetë efektive nga data 30 korrik, derisa ka bere të ditur se më vonë do te flas edhe për arsyet e dorëheqjës. sn

VIDEO- Rikthimi i shtetësisë së Kosovës, pa asnjë pagesë

Prishtinë – Ministria e Jashtme ka bërë e ditur se të gjithë qytetarët e Kosovës që për arsye të ndryshme kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës mund ta rikthejnë atë përmes procedurave të lehtësuara, të shpejta dhe pa asnjë pagesë.

Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Leutrim Sahiti në një postim në Facebook bën të ditur se rikthimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës tash është pa pagesë, njofton RTK.

“370, 250 dhe 200 euro, ishin tarifat për rikthimin e shtetësisë së Kosovës, varësisht nga shteti ku bëhej aplikimi. Sot mërgimtarët mund të rikthejnë shtetësinë e Kosovës, shpejtë, lehtë dhe pa asnjë pagesë”, ka shkruar ai.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla një ditë më parë ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët e Kosovës që për arsye të ndryshme kanë qenë të detyruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës mund ta rikthejnë atë përmes procedurave të lehtësuara, të shpejta dhe pa asnjë pagesë.

Gërvalla ka theksuar se rikthimi i shtetësisë së Kosovës është një akt jo vetëm simbolik.

“Lidhet me shumë të drejta që janë të rezervuara vetëm për qytetarët e Kosovës, si e drejta për të votuar dhe për t’u votuar. Kosova ka nevojë për ju. Prandaj, aplikoni sa më parë pranë konsullatave tona ose në komunën prej nga vini dhe bëhuni sërish shtetas të Republikës së Kosovës!”, ka thënë Gërvalla.

Image

Pronat e sekuestruara të Milan Radoiçiçit i kalojnë Policisë së Kosovës

Me ndryshimet e një udhëzimi administrativ, të miratuara të mërkurën nga Qeveria e Kosovës, pronat e sekuestruara të biznesmenit serb nga veriu i Kosovës, Millan Radoiçiç, do t’i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Brendshme të Kosovës, përkatësisht Policisë së Kosovës.

Radoiçiçin, Kosova e kërkon si të dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, shtatorin e kaluar.

Në këtë sulm mbeti i vrarë një polic i Kosovës, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serb.

Radoiçiç besohet se është i lirë në Serbi.

Gjatë një aksioni në prill, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara e Kosovës sekuestroi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut, një restorant dhe një banesë, si dhe një vilë në komunën e Zubin Potokut – që të gjitha në pronësi të Radoiçiçit.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se këto prona, aktualisht, janë nën menaxhim të ministrisë që udhëheq ajo, përkatësisht Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara të Kosovës.

Haxhiu tha se ndryshimet në udhëzimin administrativ janë të rëndësishme, sepse i eliminojnë procedurat e tejzgjatura për dhënien me qira të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, kur ato i kërkon një institucion publik ose organ shtetëror.

Haxhiu tha se pronat e sekuestruara të Radoiçiçit gjenden në lokacione me rëndësi strategjike.

Sipas saj, kalimi i tyre nën menaxhimin e institucioneve të sigurisë bëhet me qëllim të “rritjes së sigurisë shtetërore, territoriale dhe institucionale” në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

Pas miratimit të ndryshim-plotësimeve të udhëzimit administrativ në Qeverinë e Kosovës, Haxhiu tha se institucionet e vendit do të vazhdojnë me procedurat e tjera./REL

Kurti: Sqarimi i rrethanave nga ikja e Hajrizit deri te vrasja “kërkon hetim vendor dhe ndërkombëtar”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos e madhërojnë Faton Hajrizin, i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi.

“I ftoj qytetarët e vendit tonë të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit”, tha Kurti në një mbledhje të Qeverisë së tij, të mbajtur të mërkurën.

Ditëve të fundit, llogari të ndryshme në rrjetet sociale kanë shpërndarë shkrime për Hajrizin dhe fotografi të tij, të shoqëruara me epitete të ndryshme, si “hero” dhe “trim”.

Hajrizi u vra nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik, konfirmoi këtë javë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës.

Më 18 korrik, sipas autoriteteve serbe, ai vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër në qytetin Lloznicë të Serbisë.

Hajrizi ishte i arratisur nga një burg në Kosovë.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se sqarimi i rrethanave që nga ikja e Hajrizit në drejtim të Serbisë e deri te vrasja e tij e raportuar, “kërkon një hetim vendor dhe ndërkombëtar”. REL

Shpërthimi afër Ujmanit: Policia bastis një shtëpi në Zubin Potok dhe sekuestron radiolidhje

Policia e Kosovës e ka konfirmuar të dielën shpërthimin me granatë dore në pjesën veriore të vendit, në afërsi të Liqenit të Ujmanit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale në dy vetura, njëra me targa vendore, ndërsa tjera amerikane.

Sipas informatave të autoriteteve të sigurisë, granata është hedhur në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale afër Ujmanit, nga një apo më shumë persona të panjohur.

Ai ka thënë se në kuadër të hetimeve, policia e ka bastisur një shtëpi rreth orës 21:00 në zonën e Zubin Potokut.

“Gjatë bastisjes, policia ka hasur dhe ka sekuestruar në mes tjerash edhe tri radiolidhje dhe një veturë”, ka thënë Elshani për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se nuk është arrestuar askush, ndonëse policia e ka identifikuar një person, për të cilin ekziston interes për intervistim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se, “Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu leverdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë”.

“Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhura me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës”, ka thënë Kurti, duke u zotuar për sundim dhe rend publik në gjithë Kosovën.

“Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë mes tjerash Kurti, përmes një postimi në Facebook.

Qytetarë të zonës janë parë në javët e fundit duke u freskuar afër liqenit, pas temperaturave të larta, gati 40 gradë Celsius.

Rëndësia e Ujmanit për Kosovën

Liqeni i Ujmanit konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë shtatë komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.

Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.

Lumi Ibër, që e mbush me ujë Ujmanin, buron në Mal të Zi, më pas kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 km, dhe prapë kthehet në Serbi.REL

Haxhiu: Serbia po organizon arratisjen e të burgosurve nga Kosova, kërkon hetim ndërkombëtar

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje të shtunën për nisjen e një hetimi vendor dhe ndërkombëtar për, siç ka thënë ajo, nxitjen dhe organizimin e arratisjeve të të burgosurve nga burgjet e Kosovës për në territorin e Serbisë.

Sipas saj, shteti i Serbisë po cyt dhe organizon arritisjen e të burgosurve, paraburgosurve dhe të kërkuarve nga drejtësia e Kosovës, në këmbim të një “ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës”.

“Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu, pa ofruar ndonjë dëshmi për këto pretendime.

Ajo e ka bërë këtë postim në rrjetin social Facebook, një ditë pasi i arratisuri nga burgu i Smrekonicës në Kosovë, Faton Hajrizi, është raportuar të jetë vrarë nga autoritetet në Serbi.

Hajrizi ka qenë në kërkim nga autoritetet serbe, pasi më 18 korrik është raportuar se e ka vrarë një zyrtar policor serb dhe e ka plagosur një tjetër, gjatë një kontrolli rutinor në Lloznicë të Serbisë, qytezë në afërsi me Bosnje-Hercegovinën.

Autoritetet e Serbisë e kanë konsideruar sulmin si terrorist dhe kanë nisur operacion të madh kërkimi.

Përveç Hajrizit – i cili ka pasur një histori të arratisjeve nga burgjet e Kosovës – në ditët e fundit në Kosovë është arratisur edhe një i burgosur tjetër, Ujkan Metaj.

Ministrja Haxhiu ka thënë se nuk dihet me siguri nëse Hajrizi është vrarë dhe nëse apo, a ka ndodhur akti në Serbi, apo në Republikën Sërpska të Bosnje-Hercegovinës.

“Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, ka thënë ajo.

Haxhiu, gjithashtu, e ka dënuar përdorimin e etnisë nga ana e Qeverisë së Serbisë në rastin e vrasjes së policit serb.

“Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd e që kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike”.

Thirrje për mospolitizim të rastit ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. REL

Serbia thotë se e ka vrarë dorasin e policit, Kosova kërkon konfirmimin e identitetit të tij

Zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq, ka thënë të premten se është vrarë personi që në orët e para të së enjtes vrau një polic në Serbi.

Identiteti i personit të vrarë nuk është përmendur në komunikatën e lëshuar nga autoritetet serbe në pasditen e 19 korrikut.

Daçiq më herët gjatë së premtes tha se autoritetet ishin në kërkim të Faton Hajrizit, i dyshuar për vrasjen e policit, dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës e Kosovës, i kërkoi Serbisë që të konfirmojë identitetin e personit të vrarë.

Më vonë gjatë të premtes, Daçiq deklaroi dorasi i dyshuar i policit është vrarë në vendin e quajtur Banja Kovilaça.

Duke mos e përmendur identitetin e të vrarit, Daçiq iu është referua atij si “terrorist shqiptar”.

Megjithatë, Daçiq, teksa vizitoi vendin ku u vra dorasi i dyshuar, tha se autoritetet serbe do të kërkojnë nga Gjermania ekstradimin e vëllait të tij sepse “ai ka thënë se ia ka vjedhë pasaportën, që është gënjeshtër”. Sipas ministrit serb, Artan Hajrizi dyshohet për terrorizëm, duke shtuar se është bashkëpunëtor.

“Na ndihmoi që publikuam foton. Një vendas në lajmëroi që ka kërkuar ujë nga një banor lokal”, tha Daçiq.

Daçiq shtoi se ai po fshihej buzë lumit, duke kërkuar një mënyrë për ta kaluar atë.

“Kur ka ardhur policia, ai ka qëlluar dy herë automjetin e policisë. Policia ka reaguar dhe një plumb e ka goditur. Më pas, ai ka nisur të ikë, por është kapur nga policë të tjerë. Gjithsej, ai ka shtënë nëntë herë. Policia e ka vrarë. Ai nuk e kishte ndërmend të dorëzohej”, tha ai.

Autoritetet serbe, sipas Daçiqit po vazhdojnë hetimet e tyre për “të gjithë ata”, që sipas tij kanë marrë pjesë në këtë organizim. Daçiq tha po ashtu se një shtetas i Sllovenisë, me prejardhje serbe, është arrestuar.

Vrasja e policit Nikolla Kërsmanoviq ka ndodhur në orët e para të së enjtes kur policia e ka ndalur veturën në të cilën ka qenë i dyshuari, për një kontroll rutinor.

Që nga 6 korriku, Faton Hajrizi, shtetas i Kosovës, kishte qenë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, pasi ishte arratisur nga burgu i Smerkonicës.

Hajrizi dyshohet se kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumentet e vëllait të tij, Artanit, të cilat janë gjetur në vendngjarje pas vrasjes së policit serb. Ndërkohë, Artani është paraqitur para autoriteteve në Gjermani – ku dhe jeton- dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni ia kishte vjedhur pasaportën gjatë kësaj jave në Gjermani. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse Fatoni ka qenë në Gjermani.

Ministria e Brendshme e Serbisë, më herët gjatë së premtes po ashtu publikoi fotografinë e Faton Hajrizit dhe u bëri thirrje qytetarëve për bashkëpunim.

Autoritetet kryen kontrollet në dy anët e lumit Drina, që gjendet në kufi me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi dyshonin se personi që kreu vrasjen mund të ishte nisur në atë drejtim, raportoi Radio Televizioni i Serbisë (RTS) më 19 korrik.

Sipas ndihmësdrejtorit të policisë Dragan Vasileviq, helikopterët dhe dronët u përfshin në kërkim.

Autoritetet serbe e kanë konsideruar sulmin si terrorist.

“Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar do ta konsiderojë rastin si një akt terrorist, sepse është një sulm ndaj zyrtarëve”, ka thënë të enjten ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.

Kush janë Artan dhe Faton Hajrizi?

Artan Hajrizi, një profil që u bë publik nga autoritetet e Serbisë si i dyshuar për vrasjen e një zyrtari policor në Serbi, është vëllai i Faton Hajrizit, i arratisur nga burgu në Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burime brenda familjes.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajzirit (sipas autoriteteve të Serbisë), i lindur më 1991, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.

Radio Evropa e Lirë ka analizuar disa nga profilet e shumta të Artan Hajrizit, në rrjetet sociale që konfirmojnë lidhjen e tij me Faton Hajrizin. REL-i po ashtu ka biseduar edhe me burime brenda familjes që kanë konfirmuar se Artani dhe Fatoni janë vëllezër.

Një prej profileve të Artan Hajrizit në rrjetin social Facebook.

Një prej profileve të Artan Hajrizit në rrjetin social Facebook.

Ky burim pretendon se “Artani gjendet në Gjermani dhe se sot ka njoftuar se dokumentet e tij nuk janë në banesë”.

“Artani nuk ka njohuri dhe as nuk ka qenë në rast. Atij i ka humbur pasaporta”.

Kontakti me Artanin nga REL-i nuk ka qenë i mundshëm deri në publikimin e këtij teksti.

Artan Hajrizi foli publikisht të enjten për portalin Insajderi përmes një videolidhjeje.

Artani, i cili pretendoi që gjendej në polici në Gjermani, tha se vëllai i tij e kishte vizituar për disa orë dhe se ia ka vjedhur dokumentet e tij identifikuese.

“Ai ka shkuar para dy ditësh. Unë dokumentet i kam lajmëruar të humbura. Unë nuk jam fajtor për këtë punë”, tha Artani në këtë incizim.

Ai tha se nuk ka pasur kontakt me vëllain e tij që nga ajo kohë.

Gjatë ditës, mediat vendore kanë raportuar po ashtu se kanë biseduar me babanë e Artanit, Mustafë Hajrizi, i cili citohet të ketë thënë se “Fatoni ia ka vjedhur pasaportën Artanit”.

Asnjë nga këto pretendime nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet e Kosovës.

Faton Hajrizi, i dënuar për disa vepra penale në Kosovë, ishte arratisur ditë më parë nga Burgu i Smrekonicës në Kosovë.

Ai ka histori të arratisjeve të shpeshta nga burgjet kosovare.

Hajrizi fillimisht është dënuar në janar të vitit 2000 për vrasjen e një ushtari rus në qendër të Skenderajt, kur ishte vetëm 15-vjeçar. Për këtë vrasje është dënuar me 6 vjet burgim.

Sipas Daçiqit një person është arrestuar lidhur me këtë rast në Bijeljina të Bosnje e Hercegovinës.

Ai ka thënë se i arrestuari dyshohet se ka “transportuar vrasësin nga Presheva në Lloznicë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që të mos politizohet ky rast. Radio Evropa e Lirë

Një person dënohet me 12 vjet burgim për krime lufte ndaj civilëve në Kosovë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin, për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas Gjykatës, që e ka identifikuar të dënuarin vetëm me inicialet e emrin të tij, ai është shpallur fajtor për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Staradran, Zallc, Gurrakoc dhe fshtartat tjera përreth të Komunës së Istogut. Ai gjatë luftës kishte qenë polic i Serbisë në stacionin policor të Gurrakocit.

Sipas njoftimit, më 7 dhe 8 maj të vitit 1999, gjatë një aksioni të forcave ushtarake, paramilitare dhe policore kundër popullatës civile shqiptare në këto fshatra, civilët u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe u urdhëruan të niseshin drejt Shqipërisë.

I akuzuari, sipas Gjykatës, ndau burrat dhe gratë nga kolona e nisur drejt Shqipërisë, duke i plaçkitur dhe më pas forcat serbe i dërguan në një shtëpi në Staradran, duke i “pushkatuar të paktën 16 civilë të nacionalitetit shqiptarë”.

Gjykata Themelore tha po ashtu se më 7 maj të 1999, Bajroviq kishte marrë pjesë në “arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve të nacionalitetit shqiptar, ashtu që fillimisht të dëmtuarit [burrat] i ndajnë nga kolona tjetër e civilëve, u marrin të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë e pastaj që të gjithë i dërgojnë në Gurrakoc në lokalin e Sh.S, ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore”.

Ndërsa më 8 maj 1999, sipas njoftimit, të ndaluarit i kishin dërguar në stacionin policor në Gurrakoc, “ku kolonës i printe i akuzuari E.B”.

Bajroviqit, në kuadër të dënimit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, pra nga 19 tetori i vitit 2022. Ai ka të drejtë të apelojë vendimin.

Për vendimin e Gjykatës Themelore ka reaguar anëtari i Frontit Demokratik pro-rus, Millan Knezheviq, i cili kërkoi që Parlamenti i Malit të Zi të dërgojë një notë proteste kundër vendimit.

“Jo vetëm për t’u dërguar notë proteste institucioneve të përkohshme të Kosovës, por për t’i dërguar një sinjal të qartë familjes Bajroviq dhe të gjithë qytetarëve malazezë se do t’u ofrojmë mbështetje institucionale për të vërtetuar një aktakuzë farsë”, tha ai.

Partia e tij nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Knezheviq po ashtu tha se aktakuza ndaj Bajroviqit ishte e “fabrikuar”.

Kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, – një nga liderët e Frontit Demokratik – tha se Mali i Zi e ka për obligim të kujdeset për qytetarët e tij “të cilët gjenden në një situatë kaq të vështirë”.

Ndryshe, që nga përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. REL

Kosovë, komisioni për mbikëqyrjen e AKI-së: Kërcënimi nga Serbia mbetet i lartë

VOA/Leonat Shehu

Përfaqësues të Komisionit për mbikëqyrjen e Agjencisë së Zbulimit në parlamentin e Kosovës, thanë të mërkurën se kërcënimi nga Serbia dhe organizatave që strehohen dhe trajnohen në Serbi për tensionim të situatës së sigurisë në Kosovë vlerësohet të jetë i lartë.

Këto deklarata u bënë pas takimit që përfaqësues të këtij komisioni patën me shefin e Agjencisë për Intelegjencë të Kosovës, Petrit Ajeti.

“Situata në katër komunat në veri është e qëndrueshme dhe pse ndërhyrjet dhe përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme. Kërcënimi nga Serbia dhe organizata paramilitare dhe terroriste anëtarë të të cilave po strehohen dhe trajnohen në Serbi vlerësohet si shumë i lartë. Bazuar në të dhënat inteligjente grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi Pazarit, Kopaonikut dhe të Kralevës”, tha Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit.

Me 24 shtator të vitit të kaluar një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë. Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur.

Zonja Musliu tha se grupi udhëhequr nga Milan Radoiçiç vazhdon të jetë i strukturuar, ka mjete të mjaftueshme financiare dhe mbështetje nga Beogradi zyrtar.

“Në vazhdimësi janë duke planifikuar, diskutuar mundësitë për sulme. Udhëheqësi i grupit Milan Radoiçiç vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë me zyrtar të lartë shtetërorë si dhe është duke mbajtur kontakte me disa grupe organizata radikale dhe kriminale me shtrirje rajonale”, tha zonja Musliu.

Forcat paqerujatëse të NATO-s në Kosovë nuk ju përgjigjen interesimit të Zërit të Amerikës për të komentuar pohimet e institucioneve të Kosovës.

Por përgjatë punimeve të takimit të lartë të NATO-s javën e kaluar në Uashington, një zyrtar i lartë i aleancës tha se forcat paqeruajtëse janë të shqetësuara për situatën e sigurisë dhe mundësitë e përkeqësimit të saj”, ndërsa u bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbië të angazhohen në dialog për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

Pas sulmit në Banjskë diplomatët perëndimorë u vunë në përpjekje të reja për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon

Nga Qeveria e Kosovës kërkohet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Qeverisë së Serbisë të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.

Dy takimet e fundit në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe në nivel kryenegociatorësh të të dyja palëve që synonin zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes, përfunduan pa ndonjë rezultat.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë pritet që deri të enjten t’u dërgojnë ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Bashkimi Evropian pret që mbi komentet e palëve të hartojë një propozim të ri mbi këtë proces.

Musliu: Grupi terrorist serb po stërvitet në Novi-Pazar, Kopaonik e Kralevë

Ka përfunduar raportimi i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu ka deklaruar se gjendja e sigurisë në vend është stabile, por që kërcënimi nga Serbia vlerësohet të jetë shumë i lartë. Ajo ka thënë se ka informacione se grupi terrorist serb po stërvitet në tri lokacione.

“Ne patëm në raportim drejtorin e AKI-së për të na raportuar për situatën e sigurisë në vend. Mund të themi pas këtij takimi se gjendja e sigurisë në vend është stabileSituata në katër komunat në veri është e qëndrueshme edhe pse përpjekjet e Serbisë për tensionim të situatës së sigurisë janë të vazhdueshme, kërcënimi nga Serbia dhe organizatat paramilitare dhe terroriste, anëtarët e së cilave po trajnohen dhe strehohen në Serbi, vlerësohet si shumë i lartë. Bazuar në të dhënat inteligjente, së fundmi grupi terrorist është duke kryer ushtrime në disa lokacione në rrethinën e Novi-Pazarit, Kopaunikut dhe Kralevës”, është shprehur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës për media.

Në konferencë për media ajo theksoi se grupi paramilitar dhe terrorist i udhëhequr nga Milan Radojiçiq vazhdon të jetë i strukturuar, “ka mjete të mjaftueshme financiare dhe se ka armë e mbështetje nga Beogradi zyrtar”.

“Në vazhdimësi janë duke planifikuar, diskutuar mundësitë për sulme. Udhëheqësi i grupit Milan Radoiçiq vazhdon bashkëpunimin e afërt me strukturat e sigurisë së Serbisë, me zyrtarët e lartë shtetëror, si dhe është duke mbajtur kontakte me disa grupe, organizata radikale dhe kriminale me shtrirje rajonale”, ka shtuar Musliu./Ksp

Maqedonci: Sinjalet për sulme shtrojnë nevojën për traktat të Paqes me Serbinë

Paralajmërimet e institucioneve shtetërore të Kosovës për sulme të reja në veri të vendit nga Serbi kanë shtruar nevojën për një traktat paqeje midis Kosovës dhe Serbisë.

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqendonci për RTV21 tha se një ide e tillë do të duhej të ishte pika kyçe në proces të dialogut në Bruksel.

‘’Një ndër kërkesat kyçe të kryeministrit të Kosovës që para se të hyhet në proces të dialogut dhe bisedime të bëhet një traktat i paqes, pra mos sulmimit mes dy vendeve dhe kjo do të duhej të shërbente si bazamenti bazamaneti i dialogut. Vlerësoj se kjo duhet të mbetet një ndër pikat që duhet të diskutohet para se të fillohet të vendoset për cështje të tjera në kuadër të dialogut”, tha Maqedonci.

Në Qershor të vitit  2021, kryeministri Albin Kurti paraqiti katër propozime për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë  përfshirë edhe idenë e një traktati paqeje përmes të cilës palët do të zotoheshin se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Por, anëtari i Komisionit për Siguri nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, kundërshton këtë ide të qeveritarëve duke thënë se një ide e tillë është e dëmshme për Kosovën. Sipas tij, një marrëveshje me njohje reciproke do të ishte zgjidhja e duhur.

‘’Definitivisht kjo qeveri e ka humbur kompasin. Me kë do të bëjë traktat paqeje, me ata që i kanë vrarë edhe fëmijët në djep, me ata që kanë dhunuar edhe vajzat e mitura, me ata që përveç që i kanë vrarë edhe i kanë djeg kufomat, me ata që ende sot i kanë zhduk trupat e të vdekurve. Ky është një veprim i dëmshëm, i papranushëm dhe që duhet të gjykohet shumë nga të gjithë”, tha Qalaj.

Profesori i Studimeve për Paqe në Universitetin e Qytetit të Dublinit, Gëzim Visoka, tha se ideja e një traktati të paqes midis Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për ta mbyllur konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, kjo ide duhet të marrë mbështjetje nga të gjithë.

‘’Është e vetmja mënyrë për të përmbyllur konfliktin midis Kosovës dhe Serbise është përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të paqes që mund të quhet edhe traktat i paqes e cila do të përfshinte të gjitha elementet si cështje të hapura midis dy shteteve. Është e vetmja platformë që ofron stabilitet. Çdo marrëveshje e pjesshme edhe tranzitore dhe e kthyeshme”, tha Visoka.

Sipas vlerësimit të tij është e vështirë të arrihet një marrëveshje e paqes Kosovë-Serbi në rrethanat aktuale, meqë sipas tij palët e përfshira në dialog kanë pasur edhe të kaluarën mos zbatim të marrëveshjeve dhe është rritur skepticizmi i tyre.

‘’Skenari i parë është që në rrethanat aktuale nuk ka vullnet prej anës serbe ose prej presioneve ndërkombëtare që të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ose një traktat.  Nëse ka ndryshim në zhvillimet politike pas zgjedhjeve evropiane mund të hapet ajo mundësi si një aspiratë për të ecur tutje. Por në rrethanat aktuale nuk duket që ka një vullnet evropian apo amerikan për një gjë të tillë”, shtoi Visoka.

Krerët e institucioneve të Kosovës së fundmi kanë shfaqur shqetësim se grupet e armatosura serbe për rreth kufirit me Kosovën po bëjnë përgatitje për sulme të rena në veri. Qeveria ka kërkuar nga Serbia dorëzimin tek organet e drejtësisë së Kosovës organizatorin e sulmit terrorist Milan Radojiciq.

Ambasadori Hargreaves: Britania e Madhe i kërkon vazhdimisht Serbisë përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit

Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka thënë se shteti i tij vazhdimisht i kërkon Serbisë përgjegjësi për sulmuesit në Banjskë.

Ai ka thënë se pas këtij sulmi, Britania ka parë të arsyeshme që të shtojë numrin e trupave të KFOR-it në Kosovë. Megjithatë, ambasadori thotë se ende mbetet e paqartë se çka saktësisht dhe cili ishte qëllimi i sulmit të 24 shtatorit.

“Ende nuk kemi parë dëshmi përfundimtare se çfarë saktësisht po ndodhte në atë sulm dhe çfarë ka qenë plani dhe qëllimi”, ka thënë Heargreaves.

Ai shtoi se pret që Serbia të ndërmarrë veprime lidhur me sulmin në Banjskë.

“Kemi qenë shumë të qartë me autoritetet serbe për atë se ne presim që t’i mbajnë para përgjegjësisë, ata që e bënë këtë incident kriminal”, deklaroi Hargreaves.

Kur është pyetur se si përgjegjësi për sulmin në Banjskë, Milan Radoiçiç, endet i lirë në Serbi, ai ka theksuar se autoritet serbe i kanë siguruar se po merren me këtë. sn

Sveçla: Presidenti serb i përfshirë në trajnimin e grupit terrorist në Banjskë

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, është shprehur se autoritetet në Prishtinë kanë prova se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka qenë drejtpërdrejtë i përfshirë në trajnimin e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Ministri Sveçla në një intervistë në Euronews Albania, ka deklaruar se Kosova i ka të gjithë skenarët dhe përgatitjet e duhura për t’iu përgjigjur agresionit të mundshëm serb.

Ai ka theksuar se gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, është punuar që situata në veri të Kosovës t’i kthehet normalitetit.

“Kishim fatin të mblidhnim shumë dëshmi lidhur me grupin terrorist. Tani e dimë se para sulmit në Banjskë, ky grup është trajnuar në një poligon zyrtar ushtarak të Serbisë. Së fundi Vuçiq vizitoi këtë poligon, ku ushtria e rregullt serbe pati një trajnim ushtarak. Kemi incizimet, kemi pranim dorëzimet e armatimit nga magazinat e ushtrisë për këtë grup terrorist. Kemi informata inteligjente, dëshmi gojore, që tregojnë se Vuçiç ishte drejtpërdrejtë i përfshirë në trajnimin e këtij grupi. Kemi të gjitha dëshmitë. Është tjetër nëse dëshirojmë t’i injorojmë apo minimizojmë. Ne për këto arsye kemi pasur edhe takime të Këshillit të Sigurisë. Ne kemi skenarët, përgatitjet dhe mobilizimin e kapaciteteve tona për t’iu përgjigjur çdo lloj agresioni të grupeve terroriste të financuara nga Serbia”, ka theksuar ai.

Sipas tij, po punohet që 17 % e territorit të Kosovës t’i kthehet normalitetit.

“Të gjithë e dimë se për 22-23 vite situata në veri të Kosovës, në 4 komunat veriore nuk ka qenë normale. Ka qenë një agresion i hapur i Serbisë përmes instrumenteve të saj, që është shpërfaqur herë shumë agresive, duke shtypur popullin shqiptar atje, si në vitin 2000 kur u shpërngulën nga Mitrovica e Veriut 11 mijë shqiptarë e u vranë 11 persona”, ka theksuar Sveçla.

Tajlanda heq vizat për shtetasit e Kosovës

Plazhi në Tajlandë.

Tajlanda ka hequr vizat për shtetasit e Kosovës, ka bërë të ditur ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se “kjo arritje reflekton përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të zgjeruar mundësitë ndërkombëtare dhe për të forcuar lidhjet diplomatike me shtetet anembanë botës”.

Vendimi për vizat është fuqizuar menjëherë.

Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme është thënë se qytetarët e Kosovës do të mund të qëndrojnë pa viza në Tajlandë deri në 60 ditë brenda vitit, për qëllime turizmi apo biznesi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas përhapjes së lajmit, duke thënë se pasaporta e Kosovës po vazhdon të forcohet secilën herë e më shumë.

Deri tani, kosovarët kanë mundur të udhëtojnë pa viza në 50 shtete të botës, ndërsa mund të pajisen me viza sapo të mbërrijnë në 39 vende tjera.


Send this to a friend