VOAL

VOAL

Ata që hyjnë në Kosovë, duhet të kenë këto dëshmi për Covid-19

Sot në mbledhjen e mbajtur Qeveria e Kosovës ka vendosur masat e reja anti-COVID.

Mes tjerash, thuhet se çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedoj një nga dëshmitë si më poshtë.

[Hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës]

2.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19;

2.2 Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;

2.3 Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;

2.4 Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

3. Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe personat me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovës, të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës, në rast se nuk posedojnë një nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4, duhet të vetë-izolohen për 7 ditë. Këta persona duhet të plotësojnë deklaratën nën betim për vetë-izolim në pikën kufitare përkatëse.

4. Nga kërkesa për të poseduar ndonjërën nga dëshmitë sipas pikës 2.1 deri 2.4 , lirohen:

4.1 Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh;

4.2 Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID19;

4.3 Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;

4.4 Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh;

4.5 Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë;

4.6 Personat nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeçare.

Masat e reja: Mësimi në Kosovë pezullohet deri më 26 shtator

RFE/RL

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër pandemisë së koronavirusit, ku mësimi në nivelin parauniversitar, përfshirë edhe nivelin parashkollor dhe puna e qëndrimeve ditore do të pezullohet deri më 26 shtator. Ndërkaq në institucionet publike dhe private të arsimit universitar mësimi nuk do të mbahet me prezencë fizike të studentëve. Ndërkaq, për një sërë ngjarjesh, qytetarët duhet të paraqesin dëshmi për vaksinim apo teste, në mënyrë që të marrin pjesë në to.

Sa i përket familjeve që kanë fëmijë të regjistruar në institucione parashkollore, ku dy prindërit janë të punësuar, njëri nga ta do të lirohet që të paraqitet fizikisht në punë në periudhën 13-26 shtator.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media më 12 shtator tha masat do të jenë në fuqi nga 13 deri më 26 shtator, por nëse ndryshon situata epidemiologjike, atëherë do të ndryshojnë edhe masat.

“Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të përmirësimit të lehtë të situatës epidemiologjike”, tha Vitia, por shtoi se përkundër kësaj, situata vazhdon të jetë e ndjeshme.

Vitia po ashtu bëri të ditur se biblotekat do të lejohen që të punojnë me 30 për qind të kapaciteteve dhe se të gjithë personat që duan të shkojnë në to, duhet të paraqesin dëshminë për vaksinim apo të prezantojnë rezultatet e testeve për COVID-19.

Ndërkaq, zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdyna bëri të ditur se rreth 80 për qind e punonjëve të arsimit, në nivelin parauniversitar tashmë janë vaksinuar kundër koronavirusit dhe presin që në ditët në vijim kjo përqindje të rritet.

Sipas vendimit, dëshmi për vaksinimin e plotë ose për marrjen e një doze, testi negativ PCR jo më i vjetër se 72 orë, testi antigen jo më të vjetër se 48 orë apo testi i antitrupave jo më i vjetër se 30 ditë do të kërkohen për:

Për çdo person që hyn në territorin e Kosovës
Punëtorët e institucioneve publike
Studentët që duan të regjistrohen në konvikte
Studentët e institucioneve publike dhe private që duan të hyjnë në objektin e institucionit ku studiojnë
Stafi i institucioneve publike dhe private në të gjitha nivelet e arsimit
Punonjësit e kinemave, teatrove dhe qendrave të tjera të kulturës
Shfrytëzuesit e bibliotekave dhe muzeve
Shfrytëzuesit e fitueseve dhe palestrave
Klientët dhe stafi i banjave termale
Shikuesit e garave sportive që organizohen në hapësira të jashtme

Kjo masë pas 27 shtatorit do të vlejë edhe për stafin e qendrave tregtare dhe i qendrave të thirrjeve (call center).

Sipas vendimit, një person nga institucionet e lartcekura do të angazhohet që të verifikojë që personat që hyjnë në këto objekte posedojnë dëshmitë e kërkuara.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se kërkimi që qytetarët të ofrojnë këto dëshmi “ në asnjë rast” nuk përcaktojnë se “vaksinimi është i detyrueshëm”.

Ofrimi i dëshmisë së vaksinimit dhe dëshmia përmes testit të shpejtë antigen nuk vlen për personat që hyjnë në Kosovë dhe largohen nga aeroporti brenda tri orësh, për transportuesit profesionistë, shtetasit e Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit, për shtetasit që kalojnë transit përmes Kosovës, me kushtin që të largohen nga shteti brenda pesë orësh, për diplomatët e akredituar në Kosovë dhe për personat nën moshën 16-vjeçare.

Në fuqi do të vazhdojë të mbetet kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Lokalet e gastronomisë do të vazhdojnë të punojnë deri në ora 21:30, por vetëm në ambiente të jashtme dhe duke respektuar distancën ndërmjet tavolina prej 1 metër. Po ashtu qendrat tregtare do të lejohen të punojnë, ndërkaq për lokalet e gastronomisë brenda tyre, vlen parimi i njëjtë – pra puna vetëm në hapësira të hapura.

Ndërkaq, vazhdon të ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore.

Po ashtu, në funerale lejohen të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes dhe nuk lejohet mbajtja e të pameve.

Mbajtja e maskës do të vazhdojë të jetë në fuqi, ndërkaq institucionet publike do të punojnë vetëm me staf esencial nga zyrat, ndërkaq gratë shtatzëna janë të liruara nga puna.
Grumbullimet

Sipas vendimit, në ambiente të mbyllura lejohet grumbullimi deri në 20 persona, por duke respektuar distancën prej 1.5 metrash.

Për ngjarjet kulturore dhe grumbullime të tjera lejohen deri në 50 persona.

Po ashtu, kinematë, qendrat rinore, qendrat e kulturës dhe institucione të ngjashme duhet ta pezullojnë aktivitetin e tyre deri më 26 shtator. Teatrot, orkestrat, baleti dhe asambletë mund të mbajnë vetëm shfaqje online. Ndërkaq, pas 27 shtatorit, këto institucione mund të shfrytëzojnë vetëm 30 për qind të hapësirës së objekteve.

Ndërkaq, muzetë dhe bibliotekat lejohen të shfrytëzojnë vetëm me 30 për qind të kapaciteteve të hapësirave.

Sa i përket ngjarjeve sportive, ato në ambiente të mbyllura mund të zhvillohen vetëm me numër të kufizuar, ndërkaq nuk lejohet prania e shikuese.

Ngjarjet garuese në ambiente të hapura lejohet të mbahen dhe vetëm 5 për qind e kapacitetit të hapësirave do të lejohet për shikuesit.

Që prej gushtit, Kosova ka regjistruar numra të lartë të infektimeve ditore, por edhe të viktimave. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 237 viktima.

Myftiu Tërnava fton besimtarët të vaksinohen

RFE/RL

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, u ka bërë thirrje besimtarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bashkësia Islame e Kosovës, njoftoi se Tërnava ka marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19.

“Ai e ka quajtur të paarsyeshme çdo tentim për të arsyetuar refuzimin e vaksinimit, ndërsa potencoi se besimtarët janë të obliguar t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për vaksinim”, thuhet në postimin e BIK-ut.

Situata epidemiologjike në Kosovë është përkeqësuar që nga fundi i muajit korrik dhe fillimi i gushtit. Në Kosovë të premten janë regjistruar edhe 30 viktima nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Infektologu, Xhevat Demiri, i tha Radios Evropa e Lirë se situata me pandeminë është shumë e rëndë dhe kërkohet një vetëdijesim i qytetarëve për respektim të masave kundër COVID-19 dhe për vaksinim kundër kësaj sëmundjeje.

“Pasojë e kësaj situate të rëndë me pandeminë është në radhë të parë mosrespektimi i masave kundër COVID-19. Çdo ditë e më shumë kemi grumbullime që rrezikojnë situatën. Vaksinimi është i ulët. Por është edhe një faktor tjetër që një pjesë e popullsisë vazhdon të mos besojë që ka virus”, thotë ai.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi të premten se numri i vaksinave të dhëna në Kosovë ka arritur në një milion.

Me të dyja dozat e vaksinës, deri të premten në mesditë, janë vaksinuar 351,475 qytetarë të Kosovës.

Vriten dy zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës në Pejë

VOA

Policia e Kosovës bëri të ditur se dy persona kanë humbur jetën në një incident me armë zjarri në qytetin e Pejës, rreth 85 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Policia tha se si pasojë e të shtënave tre persona janë plagosur dhe janë dërguar në spitalin Rajonal në Pejë. “Nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e dy viktimave të këtij rasti. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet kompetente të Policisë së Kosovës, gjithashtu edhe prokurori i shtetit, të cilët po kryejnë ekzaminimet në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë por pa dhënë më shumë hollësi për ngjarjen.

Policia nuk bëri të ditur identitetin e viktimave por Partia Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi tha se personat e vrarë janë kandidati i këtij subjekti për kryetar të komunës së Pejës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj, ish kandidat për kryetar të Komunës së Deçanit në zgjedhjet e vitit 2017.

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri u tha mediave lokale se sipas informacioneve se vrasja e dyfishtë ishte pasojë e një konflikti të çastit ndërmjet dy viktimave.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha përmes rrjeteve sociale se policia e Kosovës tashmë ka arrestuar personin e plagosur në ngjarjen në qytetin e Pejës. Ai tha se ndriçimi i kësaj ngjarjeje do të jetë përparësi e punës së institucioneve të sigurisë.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta të udhëheqësve te institucioneve të cilët bën thirrje për ndriçimin e saj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se “me trishtim e mora lajmin për ngjarjen e sontme tragjike në Pejë, në të cilën humbi jetën një kandidat i PDK-së për kryetar të Pejës dhe ish-kandidat për kryetar të Deçanit. Ftoj organet e rendit për zbardhje të rastit të kësaj vrasje të dyfishtë!”, thuhet në reagimin e presidentes Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ngjarja e rëndë në qytetin e Pejës është tronditëse . “U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, miqve dhe bashkëpunëtorëve nga Partia Demokratike e Kosovës. Në këto momente të vështira bashkëndjejmë me dhimbjen e tyre për këtë humbje kaq tragjike”, thuhet në reagimin e kryeministrit Kurti.

Vrasja ndodhi pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore për pushtetin komunal që pritet të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Bislimi: Nuk do të ketë takim Kurti-Vuçiq

RFE/RL

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi konfirmoi se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq.

“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi të mërkurën në Bruksel, pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë takimit trepalësh, temë e vetme ka qenë çështja e të pagjeturve. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se për këtë çështje, palët kanë shprehur gatishmërinë për të pasur qasje në arkivat shtetërore.

“Në një moment zoti (Petar) Petkoviq është pajtuar që ne të kemi qasje të plotë në të gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat ushtarake në Beograd si dhe të ketë qasje në arkivat e UÇK-së. Nuk ka arkiva të UÇK-së, por ka arkiva shtetërore për UÇK-në në Kosovë dhe ne jemi dhe kemi qenë të hapur për të ndarë këto informacione”, tha Bislimi.

Ai po ashtu tregoi se janë pajtuar që grupet punuese për çështjen e të pagjeturve të takohen rregullisht dhe trupat e pajetë të gjetur në varrezën e dyshuar masive në Kizhevak të Serbisë, t’iu dorëzohen familjeve. Ai tha se mbetjet mortore të shtatë janë identifikuar nga autoritetet në Beograd dhe mbetjet e dy personave të idenfikuar gjenden në morgun e Prishtinës.

“Është e rëndësishme që të këmbejmë mbetjet mortore në mënyrë që familjarët e viktimave t’i marrin ato. Por, duhet të shohim se si do ta aranzhojmë këtë pasi pala jonë e ka konfirmuar se nuk do ta pranojë (Velko) Odalloviqin si kryetar i delegacionit”, tha Bislimi.

Sipas tij, takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel negociatorësh do të ketë në fund të tetorit, për të parë nëse palët do të arrijnë ndonjë përparim, që sipas Bislimit, do të justifikonte mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.

Takimi i 8 shtatorit u mbajt pavarësisht se palët një ditë më herët thanë se nuk kanë arritur pajtim as për rendin e ditës së takimit trepalësh.

Më 7 shtator, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka diskutuar me BE-në për temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare, pasi Prishtina zyrtare ia ndaloi hyrjen shefit të delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Petkoviqit i është ndaluar hyrja për shkak të “deklaratave provokuese” që ka bërë ai gjatë tri vizitave të fundit.

Megjithatë, nga MPJD-ja nuk kanë sqaruar se për cilat deklarata bëhet fjalë.

Kosova, sipas zëvendëskryeministrit Bislmi, nuk dëshiron që të diskutohet sërish për marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut, por do vetëm të diskutohet për zbatimin e tyre.

Për disa marrëveshje të arritura më herët, siç është ajo për tragat e veturave, të cilës së shpejti i skadon afati kalimtar, siç ka paralajmëruar Besnik Bislimi, Kosova do të përdorë parimin e reciprocitetit.

Delegacioni i Serbisë, ndërkaq, ka insistuar që të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për Marrëveshjen për drejtësi, atë të vizitave zyrtare dhe për çështjen e të zhdukurve. Sipas burimeve diplomatike, Beogradi zyrtar po insiston që të mos diskutohet për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, por së pari të diskutohet për formimin e Asociacionit.

Sipas paralajmërimeve të mëhershme të delegacionit të Kosovës, në takimin trepalësh pritet të diskutohet për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por, edhe rreth kësaj teme është paraqitur pengesë fakti që në delegacionin e Serbisë bën pjesë Velko Odalloviq dhe pala kosovare ka thënë nuk dëshiron që të takohet me të.

Edhe më herët, Qeveria e Kosovës ka thënë se Odalloviq ka qenë personi kryesor i regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ai duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur dhe jo të jetë pjesë e një komisioni për të zhdukurit.

Takimi i fundit në nivelin e lartë politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksdar Vuçiq, është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ekaterina Trendafilova flet në Prishtinë për punën e Gjykatës Speciale

Kryetarja Trendafilova, e cila tha se kjo gjykatë e cila po mban në paraburgim ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe deri tani po merret me katër raste të ndara të gjykimit, e sheh shumë të rëndësishme mbrojtjen e dëshmitarëve

Agim Sulaj   |07.09.2021
Prishtinë

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka mbajtur konferencë për media ku ka shpalosur detaje rreth funksionimit të deritanishëm të Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetarja Trendafilova, e cila tha se kjo gjykatë e cila po mban në paraburgim ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe deri më tani po merret me katër raste të ndara të gjykimit, e sheh shumë të rëndësishme mbrojtjen e dëshmitarëve.

Ajo tha se mbrojtja e dëshmitarëve është diçka në të cilën janë të fokusuar me seriozitet dhe prioritet, ngase theksoi se ndryshe gjykimi nuk do të vlente.

Duke folur për funksionin e Dhomave të Specializuara e njohur si Gjykata Speciale, Trendafilova tha se nga vitit 2017, Gjykata Speciale u bë funksionale me buxhet të ndarë nga Bashkimi Evropian (BE). Por, sipas saj, nuk mund të parashihet se kur do të përfundojë puna e kësaj gjykate.

“Më 5 korrik 2017, Gjykata u bë plotësisht funksionale. Pra, Dhomat e Specializuara të Kosovës financohen krejtësisht nga Bashkimi Evropian me pesë vende kontribuuese. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Norvegjia, Zvicra, Kanadaja dhe Turqia. Dhe, Dhomat e Specializuara do të jenë funksionale deri në atë kohë kur Këshilli i Evropës do të njoftojë Republikën e Kosovës se të gjitha procedurat qoftë hetimore apo të tjera kanë përfunduar”, tha ajo.

Administratorja e Gjykatës, Fidelma Donlontha, deklaroi se deri më tani Gjykata Speciale ka pranuar tre mijë parashtresa apo lëndë të cilat janë dorëzuar qoftë nga Prokuroria, mbrojtja apo viktimat.

Po ashtu, gjatë kësaj konference u dhanë detaje edhe lidhur me kushtet e qëndrimin e të paraburgosurve të cilët po qëndrojnë në mbajtje në Hagë.

Gjatë fillimit të konferencës nga Trendafilova dhe përfaqësues të tjerë nga kjo gjykatë janë penguar me fishkëllima nga aktivistë të Partisë Socialdemokrate (PSD) të cilët kanë thënë se “nuk mund ta lejojnë atë të raportojë në heshtje”. Më pas, pjesëtarë të Policisë së Kosovës pranë objektit ku u mbajt konferenca arrestuan pesë pjesëtarë të PSD-së.

Aktualisht në këtë gjykatë po mbahen në paraburgim tetë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), përfshirë dhe ish-presidentin kosovar Hashim Thaçi, i cili dha dorëheqje nga pozita e presidentit pas ngritjes së aktakuzës duke u vetëdorëzuar.

Procesi i gjykimit nuk ka filluar ende për asnjë nga të akuzuarit, ndërsa pritet që ai së shpejti të nisë me të arrestuarin e parë Salih Mustafa, më 15 shtator të këtij viti.

Trendafilova do të mbajë të mërkurën edhe një konferencë për media në Mitrovicë të Veriut. Ajo u pyet se cili është mesazhi i mbajtjes së dy konferencave të ndara ndërsa përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës thanë se po e bëjnë këtë për shkak të “zgjerimit të komunikimit të tyre me qytetarë”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Presidenca e Kosovës: Kisha Ortodokse Serbe nuk ka hequr dorë nga veprimet luftënxitëse

Policia në Mal të Zi ka përdorur gaz lotsjellës kundër disa protestuesve që kundërshtonin shugurimin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, 5 shtator, 2021.

 

RFE/RL

Kisha Ortodokse Serbe nuk ka hequr dorë nga “diskursi i regjimit të Millosheviqit” e as nga “veprimet luftënxitëse të viteve të 90-ta”, tha Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një reagim për ngjarjet e fundjavës në Mal të Zi.

Të dielën, në qytetin e Cetinës është shuguruar kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Ngjarja ka shkaktuar incidente dhe tensione të larta midis malazezëve dhe serbëve të këtij vendi.

Cetina është qendra kulturore dhe historike e Malit të Zi dhe simbol i identitetit shpirtëror dhe shtetëror për malazezët, por, në të njëjtën kohë, qyteti është seli e Mitropolisë së Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Gjatë ceremonisë së shugurimit të Joanikijes janë dëgjuar edhe këngë nacionaliste për Kosovën.

Në një reagim dërguar Radios Evropa e Lirë, Kupina tha se “këndimi i këngëve me motive nacional-shoviniste, me thirrje të hapur kundrejt Kosovës, është një praktikë e hershme, por që ka marrë fund më 1999”.

“Është paradoksale që në shekullin XXI, Kisha Ortodokse Serbe ende propagon ide serbomëdha të politikës së vjetër të Beogradit”.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht që e ka ushtrinë e vet dhe institucionet e tjera të sigurisë”, tha mes tjerash Kupina.

Ndaj ngjarjeve në Mal të Zi ka reaguar edhe komuniteti ndërkombëtar, duke bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.

Policia e Kosovës shënon 22-vjetorin e themelimit të saj

Prishtinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me pjesëtarë të policisë kanë shënuar 22-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës me një ceremoni në drejtorinë qendrore të policisë në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Sveçla falënderoi 9 mijë e 180 zyrtarët policorë, sa janë gjithsej, të cilët tha se në çdo moment janë në vendin e duhur për të garantuar rendin dhe qetësinë publike dhe për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

Sveçla tha se përvjetorin e 22-të ministria ka pasur në plan ta shënojë në mënyrë më madhështore, por situata me pandeminë e ka pamundësuar një gjë të tillë.

Ai tha se pikërisht nga pandemia që nga fillimi i përhapjes së COVID-19, në Kosovë kanë pësuar me fatalitet nga ky virus gjithsej 24 zyrtarë policorë.

“Numrat e rasteve fatale kanë prekur edhe Policinë e Kosovës dhe deri më sot fatkeqësisht ne kemi 24 zyrtarë policorë të vdekur për shkak të COVID-19. Në anën tjetër kemi punuar shumë në vaksinimin e zyrtarëve policorë e ku është bërë progres i madh. Deri më sot kemi 7 mijë e 912 zyrtarë policorë të vaksinuar ndërsa në radhë për vaksinim janë edhe 1 mijë e 268 e që për pak ditë jam i bindur se do të arrijmë maksimumin”, tha ministri Sveçla.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se të sigurosh jetën dhe pronën e qytetarit është detyrë shumë e rëndësishme dhe shumë përgjegjësi.

Ai u bëri thirrje pjesëtarëve të policisë që mos ta shkelin kurrë besimin qytetar të dhënë që ata të jenë ruajtësit e rendit dhe sigurisë në vend.

“Të jesh pjesëtarë i Policisë së Kosovës nuk është vetëm krenari, apo privilegj. Bartja e uniformës së shtetit nënkupton përgjegjësi dhe ndonjëherë edhe rrezik për jetën e zyrtarit policor. Por shërbimi ndaj vendit është ndjenja më sublime që mund të përjetojë një qytetar”, tha ai.

Në fund të ceremonisë, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, lexoi emrat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilëve u janë ndarë medalje për shpëtim jete, medalje policore për lëvdim, lëvdata dhe mirënjohje.

Policia e Kosovës është themeluar si institucion i sigurisë dhe rendit më 6 shtator të vitit 1999. Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri (OSBE) në pajtim me rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, hapi fillimisht shkollën policore dhe nisi trajnimin e kandidatëve të parë për t’u bërë policë. 176 pjesëtarë të policisë ishin nga gjenerata e parë e institucionit që në atë kohë mori emrin Shërbimi Policor i Kosovës.

Tragjike- Pas pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e saj, vdes nga COVID e reja në Kosovë

Një tjetër humbje e rëndë për shkak të koronavirusit është regjistruar në Kosovë. Pas vdekjes së foshnjës 3 javëshe, një nënë e re ka ndërruar jetë sot. Bëhet fjalë për një 28-vjeçare nga Vitia, e cila pak ditë më parë kishte sjellë në jetë një fëmijë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

Por pas lindjes të cilën e kishte kryer me operacion, ajo ishte transferuar për në Terapi Intensive në gjendje të rëndë shëndetësore.

Kështu ka bërë të ditur për Express anesteziologu, Gazmend Spahija. Ai ka treguar se pacientja ishte dërguar në këtë repart më 2 shtator. Sipas tij, pacientja kishte probleme në mushkri dhe organe tjera.
“Gruaja ka vdekur sot në orën 02.30. Ajo është sjellë në gjendje shumë të rëndë me datën 2 shtator pas intervenimit kirurgjik cezarian, pacienten e kanë transferuar në intensivë. Është kryer lindja me intervenimin kirurgjik, prej sallës është sjell në intensivë. Gjendja ka qenë shumë e rëndë, përpos dështimit të funksionit të mushkërive, kishte dështim edhe të organeve tjera”, -ka thënë ai.
Spahija ka treguar se pacientja kishte rezultuar pozitiv me virus më 3 gusht të këtij viti.

Gjatë këtij viti, pesë gra shtatzëna të pa vaksinuara kanë humbur jetën nga COVID-19, tri nga të cilat kanë kryer edhe lindjen.

Kryetari i Prishtinës: Një ari ka zbritur në parkun e Gërmisë, apelohen qytetarët që të shmangin frekuentimin

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin frekuentimin në parkun e Gërmisë, pasi policia ka informuar për një ari që ka zbritur në atë zonë.

Sipas informacioneve të para, ariu nuk është pjesë e “Parkut të Arinjëve”, prandaj Ahmeti thotë se ekziston mundësia që i njëjti të ketë ardhur përmes shtigjeve malore që lidhen me pjesën e Gollakut.

Postimi i plotë i Ahmetit:

Apel për qytetarët!

Të nderuar qytetarë, ju bëjmë thirrje që t’i shmangeni frekuentimit të Parkut të Gërmisë, pasi para pak minutash kemi pranuar një informacion nga Policia e Kosovës se është vërejtur një Ari.

Ariu nuk është pjesë e “Parkut të Arinjëve”, prandaj ekziston mundësia që i njëjti të ketë ardhur përmes shtigjeve malore që lidhen me pjesën e Gollakut.

Rojat e pyllit janë duke u munduar të lokalizojnë Ariun por deri në një njoftim tjetër  apelojmë të shmangni lëvizjet në Parkun e Gërmisë!

Shumica e grave shtatzëna në Kosovë nuk janë vaksinuar

Luljeta Krasniqi – Veseli

Mirjeta Sejdaj nga Prishtina është në muajin e tetë të shtatzanisë dhe pret fëmijën e parë.

Ajo thotë se nuk është vaksinuar kundër COVID-19, edhe përkundër se ka dëgjuar rekomandimet e autoriteteve shëndetësore se, vaksinimi lejohet për shtatzënat.

“Arsyeja është se i frikësohem temperaturës së lartë. Frikësohem se mund t’i bëj dëm bebes, jo për vete nuk kam frikë, vetëm për beben”, thotë ajo.

Përveç frikës që ajo ka nga vaksina, frikë ka edhe nga infektimi me koronavirus.

“Kam frikë. Zakonisht rri e izoluar, nganjëherë dal në ambient të hapur, edhe nuk kam kontakt me askënd, shumë pak”, thotë ajo.

Mirjeta thotë se nuk është se ka marr rekomandim nga mjeku që të mos vaksinohet, por ashtu ka vendosur vet.

Ndryshe nga Mirjeta, S.I emër i njohur për redaksinë e cila është pak para lindjes së fëmijës së katërt të saj thotë se nuk është vaksinuar kundër koronavirusit me rekomandim të mjekut.

“Më ka thënë mjeku njëherë mos u vaksino, pas lindjes e merr”, thotë ajo.

Të shtunën mediat në Kosovë raportuan se më 3 shtator edhe një grua shtatzënë e ka humbur jetën nga koronavirusi.

Në Kosovë, sipas të dhënave që bën të ditura drejtori i spitalit të Gjinekologjisë, Jakup Ismajli, mbi 90 për qind e shtatzënave në Kosovë nuk janë vaksinuara kundër COVID-19.

“Asnjë shtatzënë e cila gjatë kësaj kohe është hospitalizuar në klinikën e gjinekologjisë, por edhe nga informatat që i kemi nga qendrat kryesore të mjekësisë familjare, nga spitalet private nuk janë vaksinuar. Mbi 90 për qind e shtatzënave në Kosovë nuk janë vaksinuar”, thotë Ismajli.

Doktor Ismajli iu bënë thirrje grave shtatzëna që të vaksinohen pasi që rreziku nga koronavrusi është i madh.

“Mbani distancë, vendosni maskën. E vetmja mënyrë për të ndal virusin është vaksinimi. Duhet të vaksinohen edhe shtatzënat, edhe lehonat edhe nënat gjidhënëse”, thotë Ismajli.

Koronavirusi nuk ka kursyer edhe gratë shtatzëna. Më 2 shtator në Klinikën e Gjinekologjisë, ishin të hospitalizuara 13 shtatzëna të infektuara me koronavirus, 2 në gjendje të rëndë shëndetësore dhe të tjerat me oksigjeno-terapi.

Shtatzënat e infektuara me koronavirus janë duke u trajtuar në një repart të veçantë të Klinikës së Gjinekologjisë.

“Ky repart i ka 45 shtretër, është salla e lindjes dhe e operacionit si dhe është stafi shëndetësorë i nevojshëm”, thotë Ismajli.

Mjekët bëjnë thirrje për vaksinim të garave shtatzëna

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara iu kanë bërë thirrje të gjitha grave shtatzëna që të vaksinohen kundër koronavirusit.

Sipas një analize të CDC-së, të lëshuar më datën 11 gusht, sipas të dhënave të marra nga gratë shtatzëna që kanë marrë vaksinën kundër koronavirusit, në javët e para të shtatzënisë së tyre, nuk është parë rritje e rrezikut për dështim në mesin e 2.500 grave që kanë marrë vaksinën Pfizer dhe Moderna kundër COVID-19 para se të ishin 20 javë shtatzënë.

“Dështimet zakonisht ndodhin në 11-16 për qind të shtatzënive dhe studimi gjeti se niveli i dështimit pas marrjes së vaksinës kundër COVID-19 ishte rreth 13 për qind, përqindje e përafërt me nivelin e dështimeve që ndodhin te shtatzënat në popullatën e përgjithshme”, vlerësojnë Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, institucioni kryesor i shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara.

Sipas CDC, variantit Delta, që është variant më ngjitës sesa varianti fillestar i koronavirusit e bëjnë vaksinimin të shtatzënat më urgjent.

Ndërkohë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP) në Kosovë rekomandon vaksinimin e shtatzënave, në rastet kur përfitimet e vaksinimit për shtatzënën tejkalojnë rreziqet e mundshme.

“Shtatzënave duhet t’u ofrohet informacion në lidhje me rreziqet e COVID-19 në shtatzëni, përfitimet e mundshme të vaksinimit dhe kufizimet aktuale të të dhënave të sigurisë së vaksinës për grupin e shtatzënave. Në botë janë vaksinuar shumë shtatzëna dhe rezultatet e deritashme nuk kanë treguar për efekt të dëmshëm të vaksinës”, thotë IKSHP në një postim të bërë në web faqen e saj.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ndërkohë ka lansuar një fushë vetdijesues ku kërkon vaksinimin e grave shtatzëna.

Pranvera Zejnullahu Raci gjinekologe në mesazhin e saj drejtuar grave shtatzëna dhe nënave gjidhënse thotë se vaksinimi është i lejuar edhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kosova është duke kaluar në një fazë të rëndë me pandeminë. Rastet e reja gjatë tre javëve të fundit janë rritur.

Me masat e reja të qeverisë së Kosovës të cilat kanë hyrë në fuqi më 29 gusht gratë shtatzëna, janë liruar nga obligimi për t’u paraqitur fizikisht në punë. Punëdhënësit publikë apo privatë janë udhëzuar të ju krijojnë mundësinë që të punojnë nga shtëpia.

MPJD: Petkoviqit iu ndalua hyrja në Kosovë për shkak të deklaratave provokuese

RFE/RL

Kosova ia ka ndaluar hyrjen drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Peter Petkoviq, për shkak të siç thuhet, pavarësisht se ai në vazhdimësi ka dhënë garanci se do të përmbahet nga deklaratat nxitëse, në vizitat e tij të fundit në Kosovë, ai ka bërë “deklarata provokuese”.

Petkoviq ka thënë se Kosova nuk e lejoi që të qëndrojë në një vizitë dyditore në Kosovë, të planifikuar më 3 dhe 4 shtator.

“Në kundërshtim me obligimin e marrë dhe zotimin që do të përmbahet nga deklaratat provokuese dhe nxitëse të urrejtjes, ai në vazhdimësi në tri vizitat e fundit haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse, duke kulmuar në vizitën e fundit në inaugurimin e të ashtuquajturit ‘universitetet’ në Mitrovicë të Veriut”, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.

Megjithatë, MPJD nuk ka sqaruar se cilat deklarata të Petkoviqit i cilëson si provokuese dhe nxitëse të urrejtjes.

Nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, më herët gjatë të premtes thanë se Petkoviq ishte planifikuar që të qëndronte dy ditë në Kosovë, për të vizituar disa subjekte afariste “ku shteti i Serbisë ka siguruar vende të reja pune” si dhe për të vizituar disa familje që jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

Sipas kësaj zyreje, kjo është ndalesa e tretë me radhë që Kosova i vendos Petkoviqit dhe kjo “në prag të vazhdimit të dialogut në Bruksel javën e ardhshme”. Nga kjo zyrë paralajmëruan se këto ndalesa do të jenë pjesë e diskutimeve në Bruksel.

Nga zyra e Petkoviqit thanë se arsyetimi i Ministrisë së Jashtme të Kosovës për ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë “është i pabazuar”.

Më 20 gusht, Serbia tha se në Mitrovicë të Veriut ka vendosur gurthemelin e të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.

Në këtë ngjarje, Petkoviq kishte deklaruar:

“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti (i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq”.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thanë se për më tepër, Petkoviq nuk kishte paralajmëruar vizitën në Kosovë më 3 dhe 4 shtator.

“Bazuar në këtë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i ka lejuar hyrjen në Kosovë për datat 3-4 shtator 2021 atij, teksa për pjesën tjetër të delegacionit ka miratuar hyrjen”, thanë nga MPJD-ja.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, më 2011 kishin arritur edhe marrëveshje për vizitat zyrtare, ku thuhet se palët duhet ta njoftojnë njëra-tjetrën për vizitat në shtetet përkatëse.

Kërkohet përfshirje më e madhe e grave në procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Në këtë tryezë të mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë, ku morën pjesë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore, u tha se është koha që tani të kërkohet barazi gjinore në procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Agim Sulaj   |31.08.2021
Prishtinë

Përfshirje më e madhe e grave në procesin e dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), është kërkuar në tryezën e mbajtur në Prishtinë të martën me temë “Gruaja në tryezën negociuese në Kosovë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë tryezë të mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë, ku morën pjesë përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe vendore, u tha se është koha që tani të kërkohet barazi gjinore në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Shefi i Seksionit Ligjor, Sundimit të Ligjit dhe të Drejtave të Njeriut, Jarmo Helppikangas, tha se barazia gjinore është proces për të cilin duhet të punohet vazhdimisht.

Ai tha se në Kushtetutën e Kosovës nuk mungon asgjë, por, ajo që mungon shumë shpesh, është implementimi i saj.

“Duhet të merremi me implementimin e legjislacionit në fuqi dhe gjithë këto, pra duhet vetëm të kemi kujdes mbi këtë dhe të mos e harrojmë asnjëherë, sepse, nuk ka një lojë magjie për të bërë, thjeshtë duhet punë e madhe për t’u bërë dhe për t’u përsëritur. Në këtë mënyrë arrihet balancë gjinore në pozicionet ekzekutuese dhe në të gjitha aksionet që shoqëria ndërmerr”, tha Helppikangas.

Përfaqësuesja Speciale e Bashkimit Evropian në Kosovë, Reyes Charle Cuellar, tha se Kosova aktualisht është në rrugë të mbarë sa i përket integrimit të gruas në shoqëri.

Cuellar tha se arsyeja përse mendon që Kosova është në rrugë të mbarë, është për shkak se vendi ka gra nga shoqëria civile që janë një shembull për të tjerët.

Zv.përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Barrie Lynne Freeman, foli për përvojat personale të saj e rritur në një familje patriarkale. Ajo tha se gratë në Kosovë duhet të bashkëpunojnë më shumë ndërmjet tyre, për të arritur suksese.

Procesi i dialogut të Kosovës me Serbinë që kur ka filluar në vitin 2011 i ishte besuar vetëm një herë një gruaje, megjithëse numri i grave në pozita udhëheqëse në takime të larta shtetërore ka qenë vazhdimisht minimal.

Kosova pritet të hiqet nga lista e “vendeve të sigurta” të BE-së

Bashkimi Evropian, nga sot, pritet të vendosë kufizime në udhëtime për qytetarët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, për shkak të përkeqësimit të situatës me koronavirus në këto vende.

Kjo do të thotë se hyrja në BE nuk do të lejohet, pos në rastet kur udhëtimet janë të domosdoshme ose kur qytetarët kanë leje vendbanimi në ndonjërin vend të bllokut.

Kufizime në udhëtim pritet të ketë edhe për qytetarët e Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Libanit.

BE-ja i ka hapur kufijtë për qytetarët e Ballkanit Perëndimor në qershor, përpara fillimit të sezonit veror dhe pas përmirësimit të situatës epidemiologjike.

Por varianti Delta i koronavirusit ka shkaktuar rritje të mprehtë numrit të të infektuarve në javët e fundit.

Për të qenë në listën e “vendeve të sigurta”, një vend duhet të regjistrojë maksimum 75 raste të reja në 100,000 banorë, në dy javët e fundit.

Shkalla e infeksionit në Kosovë është mbi këtë shifër.

Të dielën, Kosova ka shënuar ditën më vdekjeprurëse nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë, pranverën e vitit të kaluar.

Autoritetet konfirmuan vdekjen e 36 personave në 24 orë, ndërsa raportuan edhe për mbi 1,600 raste të reja pozitive.

Mbërriti në Kosovë avioni me grupin e parë të qytetarëve afganë

Leonat Shehu

Grupi i qytetarëve afganë prej 111 persona, që do të strehohen përkohësisht në Kosovë, mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, pak minuta pas orës 20:00 të së dielës.

Autoritetet thanë se shumica e afganëve, që kanë mbërritur në Kosovë, janë gra, fëmijë e pleq dhe janë familjarë të kontraktorëve që kanë punuar për misionin e NATO-s.

Pas mbërritjes, grupi i qytetarëve afganë po qëndron fillimisht në terminalin e vjetër të Aeroportit të Prishtinës, ku po iu ofrohet asistenca mjekësore dhe po testohen për COVID-19.

Autoritetet thanë se qytetarët e parë afganë pritet të strehohen në një kamp, që është përdorur nga një kompani private, që gjendet në afërsi të kampit “Bondsteel” të ushtrisë amerikane në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla, tha se ende nuk është përcaktuar saktë numri i qytetarëve afganë, që do të strehohen në Kosovë por, sipas tij, nuk do të jetë i madh dhe do të vlerësohen kapacitetet e vendit.

“Fluturimet e ardhshme priten të ndodhin qysh nesër, tani kemi konfirmimet e radhës për aterimet e ardhshme, është çështje e organizimit të aleatëve tanë për sa i takon fluturimeve apo nisjes së avionëve për në Kosovë”, – tha zoti Sfeçla.

Në Aeroportin e Prishtinës, qytetarët afganë u pritën nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett.

“Ne sot para të gjithë atyre treguam se i kemi hapur jo vetëm dyert, por edhe zemrat tona, sepse, si njerëz që kemi qenë viktima të pushtetit gjenocidial, e kuptojmë shumë mirë se çka do të thotë të detyrohesh të largohesh nga shtëpia jote, prandaj ne jemi krenarë, që qëndrojmë pranë partnerëve tanë dhe kontribuojmë në një përpjekje të gjithë këtye partnerëve, nga SHBA-të deri te shteti i fundit i NATO-s, në mënyrë që kjo tragjedi njerëzore të pakësohet dhe që ata që vijnë këtu në Kosovë të ndihen që më në fund janë të sigurtë”, – tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Është nder për neve, është nder për mua, që kemi mundësinë t’i ndihmojmë këta refugjatë sikurse të gjithë popujt dhe qytetarët tjerë në botë e meritojnë të kenë të drejta dhe liri. Kur është në pyetje një çështje humanitare, kur është puna te partnerët dhe aleatët tanë, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, atëherë nuk bëhet pyetja “Pse?”, por ne themi vetëm “Si?”. Pra të gjitha çështjet që i diskutojmë janë vetëm të natyrës teknike e logjistike se si këta refugjatë të kalojnë sa më lehtë në vijim pas një konflikti që e lanë pas në atdheun e tyre”, – tha kryeministri, Albin Kurti.

Më 16 gusht, qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova dhe Shqipëria të pranojnë një numër afganësh, që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.​

Mbi 1 100 pacientë me COVID-19 të shtruar në spitalet e Kosovës

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas raportit ditor, 61 pacientë janë në kujdes intensiv, ndërkaq 1.060 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

Në klinikat e Qendrës Klinike Universitare janë të shtrirë 435 pacientë me COVID-19. Numri më i madh i tyre, përkatësisht 120 pacientë, po marrin trajtim në Klinikën Infektive.

Ndërkaq, në spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 704 pacientë me koronavirus, ku 188 janë në spitalin e Pejës.

Javëve të fundit, Kosova ka regjistruar rritje të rasteve me koronavirus. Vetëm të shtunën u regjistruan 18 viktima dhe 1.891 raste të reja. Më 29 gusht kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër pandemisë, të cilat sipas Qeverisë së Kosovës, kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejme të koronavirusit.

Të shtunën, më 28 gusht, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se kanë rritur kapacitetet spitalore deri në 1.600 shtretër pas rritjes së rasteve të reja me koronavirus. rel

Kosovë, 14 viktima dhe 2 541 të infektuar me COVID-19 në 24 orët e fundit

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 2.541 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 134.818

Agim Sulaj   |25.08.2021
Prishtinë

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit 14 persona të infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) kanë vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të shkojë në 2.370, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 2.541 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 134.818.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 12.618 mostra të dyshuara për COVID-19, ndërsa deri më tani janë bërë 912.646 teste.

Sa i përket numrit të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 604 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri tani ka arritur në 108.603 ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 23.845.

Sa i përket procesit të vaksinimit, në 24 orët e fundit janë dhënë 18.326 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 747.898 doza të vaksinës. Deri më sot 250.626 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Sërish numër i lartë i viktimave dhe i të infektuarve në Kosovë

RFE/RL

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë njoftoi të martën (24 gusht)edhe për 13 viktima të reja nga koronavirusi i ri, i cili e shkakton sëmundjen COVID-19.

Sipas njoftimit, në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 1.901 raste të reja me koronavirus, bazuar në 10.848 mostra të testuara në laboratorët publikë dhe privatë.

Në 24 orët e fundit, 433 pacientë u shëruan nga koronavirusi, ndërsa raste aktive në Kosovë janë 21.922.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi të martën se janë 1016 pacientë të shtrirë në klinikat COVID-19 dhe spitalet e përgjithshme të vendit. Prej tyre, 902 janë të konfirmuar me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Sa i takon trajtimit, SHSKUK njofton se 797 pacientë po trajtohen me oksigjeno-terapi ndërsa 37 janë në gjendje të rënduar shëndetësore.

Institucionet qeveritare, javën e kaluar, kanë marrë masa shtesë kufizimi mirëpo situata epidemiologjike vazhdon të jetë e rënduar.

Mjekët bëjnë thirrje për vaksinim pasi, sipas tyre, që prej nisjes së fushatës së imunizimit, asnjë person i vaksinuar në Kosovë nuk ka vdekur si pasojë e koronavirusit.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.

Vaksinimi i qytetarëve në Kosovë nisi në fund të marsit dhe aktualisht po përdoren dy vaksina për imunizim, ajo e kompanisë AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech.

Vaksinimi i qytetarëve të Kosovë është esencial për shpëtimin e jetës së tyre dhe institucionet shëndetësore dhe qeveritare kompetente për shëndetësinë, duhet të jetë më agresive në fushatën për vaksinimin e qytetarëve, vlerëson epidemiologu Isuf Dedushaj.

Deri më 24 gusht, Kosova ka administruar mbi 720 mijë vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht janë 244.235 mijë persona. Një person konsiderohet i imunizuar plotësisht, 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

Albin Kurti në ceremoninë e varrimit të 18-vjeçares: Duhet dënim i merituar

Sot i është dhënë lamtumira e fundit, Marigona Osmanit, 18-vjecarja e cila u vra nga burri i saj, Dardan Krivaqa. Ky i fundit u arrestua sot nga policia.

Në varrimin e saj, ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka deklaruar se sot të gjithë kanë shumë pikëllim e zemërim.

Ai ka thënë se jeta e një vajze 18-vjeçare u shua me një vrasje mizore dhe që ajo të prehet në paqe duhet të bëhet drejtësi.

“Jeta e një vajze të re është këputur nga një vrasje mizore. I dyshuari për vrasjen është arrestuar dhe duhet të ketë gjykim të drejtë dhe dënim të merituar.

Bëhet fjalë për një të dyshuar që ka precedentë penal edhe për vepra tjera. Kjo tregon se sa shumë punë tjera kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë. Qeveria jonë prej fillimit ka marrë iniciativën për infrastrukturë ligjore që kurrë të mos përsëriten këto raste”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se është shtuar numri i grave e i vajzave që kanë raportuar për dhunë në familje.

Ferizaj: Dhunoi deri në vdekje 18-vjeçaren dhe e la te dera e spitalit, arrestohet autori

Dardan Krivaqa, i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, është arrestuar në një fshat në afërsi të Ferizajt.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, gjatë protestës që po mbahej para stacionit të tyre në Ferizaj.

Major Mehmet Hajdini ka bërë të ditur se Krivaqa është arrestuar në një fshat në Ferizaj, teksa tha se pas pak ai pritet të dërgohet në stacionin policor të Ferizajt.

“Para 2-3 minuta e kam marrë konfirmimin se rreth 5 minuta para është arrestuar i dyshuari Dardan Krivaqa, në rrethinë të Ferizajt. Njësitet policore janë duke e sjellur të dyshuarin në objektin e Policisë”, tha Hajdini.

Arrestimin e Dardan Krivaqës e konfirmoi edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së 18 vjeçares në Ferizaj, sot rreth orës 12 e 05 minuta, është arrestuari edhe personi i dytë i dyshuar (D,) në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatë.

Ngjarja tragjike u raportua një ditë më parë, ku 18-vjeçarja Marigona Osmani ishte dërguar e vdekur në derën e spitalit në Ferizaj, ku dyshohej se kishte humbur jetën si pasojë e dhunës. E reja ishte dërguar te spitali nga dy persona, të cilët janë larguar me një mjet tip “Audi” me targa zvicerane, pasi kanë lënë viktimën në ambientet e spitalit. Njëri prej autorëve, pikërisht i arrestuari Dardan Krivaqa, rezulton se ishte bashkëjetuesi i 18-vjeçares, ndërsa krimin e ka kryer bashkë me një shokun e tij.

Drejtori i Klinikës Infektive: Në Kosovë po vdesin të pavaksinuarit

Bekim Bislimi

Që prej nisjes së fushatës së imunizimit, asnjë person i vaksinuar në Kosovë nuk ka vdekur si pasojë e koronavirusit.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.

Vaksinimi i qytetarëve në Kosovë nisi në fund të marsit dhe aktualisht po përdoren dy vaksina për imunizim, ajo e kompanisë AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech.

Vaksinimi i qytetarëve të Kosovë është esencial për shpëtimin e jetës së tyre dhe institucionet shëndetësore dhe qeveritare kompetente për shëndetësinë, duhet të jetë më agresive në fushatën për vaksinimin e qytetarëve, vlerëson epidemiologu Isuf Dedushaj.

Vishaj: Për 12 ditë, 20 mijë të infektuar

Dita e hënë, më 23 gusht, ishte një prej ditëve me bilancin më tragjik për sa i përket numrit të personave që kanë vdekur nga koronavirusi. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës raportoi për 17 raste të vdekjes për 24 orë, më datën 23 gusht. Në këtë datë, raste të reja të infektimit janë evidentuar 1,067 ndërkaq, numri më i madh i personave të infektuar i takojë moshës prej 20 deri në 50 vjet.

Vetëm me 23 gusht janë evidentuar 16 raste të reja të moshës prej 0 deri në 9 vjeç, ndërkaq, 112 raste të moshave prej 10 deri në 19 vjet.

Në shtatë ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 57 viktima dhe 13.389 raste të reja me COVID-19. Aktualisht numri i përgjithshëm i rasteve pozitive të konfirmuara është 130.376.

Rastet e evidentuara të qytetarëve me COVID-19 , në veçanti në ditët e fundit, janë rritur, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.

“Për 10 ose 12 ditë janë infektuar rreth 20 mijë qytetarë. Kjo i bie gati një e pesta e atyre që janë infektuar për një vit e gjysmë. Rrjedhimisht është i pritshëm edhe spitalizimi i një numri të madh (të pacientëve). Ne, në datën 10 apo 12 gusht, në të gjithë Prishtinën i kemi pasur diku rreth 25 deri 28 pacientë të hospitalizuar. Sot jemi gati se në përmbushje të kapaciteteve. Është ardhje e përnjëhershme e një numri shumë të madh të pacientëve. Rrjedhimisht, kjo çon edhe në këtë shkallën e tanishme të mortalitet. Këto janë të gjitha të pritshme”, tha Vishaj.

Ai shtoi se ende është herët për të dhënë një përgjigje nëse varianti Delta i koronavirusit është më agresive sesa variantet paraprake, për shkak se sipas tij, duhet të përcillen të gjitha rastet e reja deri në shërimin e tyre.

Dedushaj: Vaksinimi nuk do të lejonte kërdinë e sëmundjes

Por, epidemiologu Isuf Dedushaj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që varianti Delta është më agresiv, Sipas tij, në tri valët e kaluara të pandemisë, mundësia e shpërndarjes së infektimit nga një person ka qenë te tre persona tjerë, ndërkaq, siç thotë ai, me variantin Delta një person mund të shpërndajë infeksionin deri te tetë persona të tjerë.

“Do të thotë është afërsisht trefish më agresiv, trefish është përhapja më e fuqishme. Ky është një prej faktorëve dominantë që po paraqet komponenti Delta. Kjo është brengosëse. Përfshin moshat më të reja, ku dominon mosha mbi 20 vjeç, pra 20 deri në 40 vjeç dhe për fat. Tash, sikur të ishte vaksinuar popullata, të ishte arritur mbulimi i saj prej 60 deri në 80 për qind, nuk do të kishte shans që sëmundja të bëj kërdi ose të paraqitet në formë të ashpër, agresive ose masive”, tha Dedushaj.

“Asnjë i vaksinuar nuk ka vdekur nga koronavirusi”

Por, drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj thotë se deri më tash, prej kur ka nisur të shtohet numri i pacientëve, në Klinikën Infektive kanë qenë të shtrirë rreth 140 pacientë të infektuar, prej të cilëve 13 kanë qenë të vaksinuar.

“Asnjë i vaksinuar dhe i shtrirë (në spital) nuk ka përfunduar me fatalitet. Ne tash i kemi dy probleme: problemin e komunitetit të pavaksinuar, i cili është problem madhor, sepse ata te ne paraqesin shumicën dhe problemin tjetër shumë të vogël te komuniteti i njerëzve që janë të vaksinuar. Ata që janë të vaksinuar, prej tyre, një përqindje shumë e vogël, e marrin infeksionin. Por edhe nëse infektohen, deri më tash kemi parë që kalojnë më lehtë, ndonëse edhe te këta mund të paraqitet një formë e moderuar e sëmundjes”, theksoi Vishaj.

Mungesë e një fushate më agresive për vaksinim

Epidemiologu Isuf Dedushaj, vlerëson se numri ende i vogël, sipas tij, i personave të vaksinuar është pasojë e neglizhencës së vetë qytetarëve, por edhe e mungesës së një fushate më agresive nga institucionet e vendit për vaksinim.

Aktualisht, imunizimi i qytetarëve kundër COVID-19 po vazhdon të bëhet në 30 komuna me mbi 300 ekipe të vaksinimit.

Por, sipas Dedushajt, institucionet duhet t’i shumëfishojnë pikat ku mund të bëhet vaksinimi, të krijojë ekipe mobile dhe t’i qasen më fuqishëm vetëdijesimit të qytetarëve për imunizimin e tyre ndaj COVID-19.

“E vetmja mënyrë e parandalimit, për momentin, për këtë vend të varfër, është dhënia e vaksinës. Është fat që Kosova i ka siguruar vaksinat më të mira dhe më efikase. Janë kushtet, ka frigoriferë, ka ekipe. Do të thotë, vaksinat mund të arrijnë në çdo lloj punkti, brenda ditës dhe mund të vaksinojnë. I kemi parë në Perëndim, në makina i vaksinojnë. I ndalin në rrugë njerëzit dhe i vaksinojnë. Vetëm i regjistrojnë dhe ua lëshojnë kartelat e vaksinimit. Së dyti, duhet thënë këtij populli troç, se ai që e dëshiron vdekjen, mos të vaksinohet. Vetëm ata që i kanë humbur më të afërmit, e dinë shkallën e dhimbjes dhe vuajtjes që kanë”, u shpreh Dedushaj.

Deri më 23 gusht, Kosova ka administruar mbi 714 mijë vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht janë mbi 239 mijë persona. Një person konsiderohet i imunizuar plotësisht, 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

Shtatëmbëdhjetë viktima nga koronavirusi në Kosovë

Shtatëmëdhjetë viktima nga koronavirusi u konfirmuan të hënën në Kosovë, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Dy nga viktimat janë të moshës 20 deri në 29 vjeç.

Numri më i madh i tyre, përkatësisht pesë, u regjustrua në mesin e personave të moshës 60-69 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës tha se në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 1,067 raste të reja me koronavirus.

Ato rezultuan pas testimit të 7,946 mostrave.

Kjo i bie që 13 për qind e të testuarve dolën pozitivë.

Në 24 orët e fundit, 278 pacientë u shëruan nga koronavirusi, ndërsa raste aktive në Kosovë mbeten 20,467.
Pacientë me COVID-19 të shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Gjatë ditës, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës njoftoi se në klinikat dhe spitalet në Kosovë janë të shtrirë 929 pacientë – prej tyre 723 të konfirmuar me koronavirus.

Sipas SHSKUK-së, 35 pacientë janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 688 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

Serbia ndërton objektin e “Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë”

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, duke vendosur gurthemelin e ndërtimit të objektit të “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.

Serbia ka filluar ndërtimin e objektit të përhershëm të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.

Investimi në mbi 6 milionë euro do të bëhet nga Qeveria e Serbisë përmes Zyrës për Kosovën, që funksionon në kuadër të saj.

Drejtori i kësaj zyreje Petar Petkoviq, hodhi gurthemelin për ndërtimin e Universitetit të premten (20 gusht) në Mitrovicën Veriore.

“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti Vuçiq”, tha Petkoviq.

Ndërtesa do të ketë 10.575 metra katrorë, me kapacitet për pranimin e deri në 10.000 studentëve ndërsa në kuadër të këtij Universiteti do të funksionojnë: Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Matematikës, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti Ekonomik.

Mitrovica e Veriut është komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku autoritetet serbe kanë zhvendosur, siç e quajnë ata, Universitetin e Prishtinës, pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Studimet aty zhvillohen sipas plan-programit të Republikës së Serbisë.

Evakuohen 4 shtetas të Kosovës nga Afganistani

Prishtinë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka evakuuar 4 shtetasit e Kosovës me të cilët ka qenë në kontakt të drejtpërdrejt dhe ju është ofruar ndihmë pas përshkallëzimit të situatës në Afganistan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga MPJD, “që nga përshkallëzimi i situatës në Afganistan, MPJD-ja ka qenë e angazhuar për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës me qëllim të largimit sa më të shpejt nga Afganistani”.

“MPJD-ja vazhdon ta mbaj të hapur linjën emergjente dhe është në dispozicion t’u ofrojë ndihmë të gjitha rasteve të reja që eventualisht mund të lajmërohen në periudhën në vijim”, përfundon njoftimi i ministrisë.

Pas përshkallëzimit të situatës në Afganistan, të hënën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, njoftoi se Kosova ka pranuar kërkesën e SHBA-së për të siguruar strehim të përkohshëm për civilët afganë të cilit kishin punuar me forcat amerikane derisa të përfundojë procedura për largimin e tyre në SHBA.

Autoritetet kosovare ende nuk kanë deklaruar rreth numrit të refugjatëve afganë, ditës kur do të arrijnë dhe lokacionit se ku do të vendosen ata në territorin e Kosovës.

Kosova merr masa të reja kufizuese, mbyll klubet e natës, nuk lejon hyrjen pa vërtetim vaksinimi apo test PCR në lokale, hotele e restorante

KOSOVA

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë paralajmëron se më 20 gusht do të ketë vendime për masa të reja kufizuese.

Përfaqësuesit e Odës njoftojnë se ka qenë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia që ia ka njoftuar gjatë një takimi masat e reja.

Sipas Odës, klubet e natës do të mbyllen deri më 1 shtator, pasuar nga një orar kufizues për restorantet e kafenetë që do të punojnë deri në 22:30.

Po ashtu dnuk do të lejohet në asnjë hotel apo restorant hyrja pa certifikatë vaksinim apo testi PCR.

 

NJOFTIMI NGA ODA E HOTELERISË DHE TURIZMIT

Njoftim!

Pas takimit të ministrit të Shëndetësisë z. Vitia dhe përfaqësuesve të OHTK kryetari prof. Dr. Sogojeva si dhe drejtorët e departamenteve z. Muçiqi dhe z. Hoti na u kumtuan masat e reja.

Për fat të keq pas ngritjes së numrit të të infektuarve me Covid 19, me datë 20.08.2021 do të dalin vendime të tjera kufizuese

Sa i përket sallave të dasmave do të funksionojnë deri në orën 22:30, me kapacitet të mysfirëve deri 150.

Klubet e natës do të mbyllen deri më datë 01.09.2021.

Të gjithë Restaurantet ditore , kafiteritë etj., do të punojnë deri në orën 22:30.

Nga data 20.08.2021 pa dëshmi vaksinimi apo test PCR nuk lejohen klientet në asnjë nga ambientet Hoteliere-Gastronomike.

I lusim të gjithë qytetarët të ruhen  nga kjo gjendje alaramante, t’i respektojnë masat e reja dhe sa më shumë të vaksionohen.

Të infektuarve i’u urojmë shërim të shpejtë!

Kurti: Strehimi i afganëve në Kosovë bëhet në koordinim me SHBA

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën (17 gusht) se detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara. Strehimi i afganëve, shtoi Kurti, përveç aspektit human ka edhe dimensionin e aleancës dhe partneritetit me SHBA-në si dhe është një çështje e ndjeshme e sigurisë.

Numri i qytetarëve të Afganistanit të cilët do të strehohen në Kosovë dhe vendi se ku do të qëndrojnë, ende nuk është bërë të ditura. Qeveria, tha Kurti, me çështjen e afganëve edhe duke u marrë tani një muaj dhe janë formuar ekipe.

“Kosova ka SHBA-në aleaten kryesore dhe partneren strategjike të pazëvendësueshme. Çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani, përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë, e ka gjithashtu dimensionin e aleancës dhe partneriteti me SHBA-në. SHBA-ja na kanë mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e kontributit tonë përkundër ndihmës dhe mbështetjes së madhe për popullin tonë”, tha Kurti për gazetarët pas një vizite që i bëri Korporatës Energjetike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës të hënën në mbrëmje (16 gusht) ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tash ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Kosovës.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Kosova i është bashkuar thirrjeve për largimin e sigurt të njerëzve nga Afganistani.

Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se operacioni i largimit të personelit amerikan dhe punëtorëve afganë është duke vazhduar dhe se iu kanë dërguar mesazh talibanëve që nëse e pengojnë këtë operacion do të përballen me përgjigje të shpejtë dhe të ashpër.

Talibanët kanë deklaruar se Afganistani është në kontrollin e plotë të tyre, pasi ata morën pallatin presidencial më 15 gusht, vetëm pak orë pasi presidenti Ashraf Ghani iku nga vendi. Militantët islamikë nuk hasën në rezistencë derisa rimorën kontrollin, dy dekada pasi u rrëzuan nga forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja. Në aeroportin e Kabulit të hënën kanë shpërthyer skena kaotike, pasi qindra njerëz përpiqeshin të iknin nga vendi.

Kosova u bashkohet thirrjeve për largim të sigurt të njerëzve nga Afganistani

Pamje afër aeroportit ndërkombëtar të Afganistanit më 15 gusht 2021.

RFE/RL

Kosova u është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe dhjetëra shteteve tjera, në thirrjen që të gjitha palët të respektojnë dhe ndërmjetësojnë largimin e sigurt të shtetasve të huaj dhe atyre afganë, që dëshirojnë të largohen nga Afganistani.

Më 15 gusht, luftëtarët talebanë kanë hyrë në kryeqytetin afgan, Kabul dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.

“Ata persona që janë në pushtet dhe kanë autoritet në Afganistan, kanë përgjegjësi për mbrojtjen e jetëve dhe pronave të njerëzve, si dhe për rikthim të menjëhershëm të sigurisë dhe rendit civil”, është thënë në deklaratën e përbashkët, të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Mes tjerash në deklaratë është përmendur se shtetasit afganë dhe ata ndërkombëtarë që duan të largohen nga ky shtet, duhet të lejohen ta bëjnë një gjë të tillë, dhe se rrugët e aeroportet duhet të mbesin të hapura si dhe të ruhet qetësia.

Institucionet në Kosovë janë shprehur të gatshme të strehojnë qytetarët afganë, pas komunikimeve që ata kanë thënë të kenë pasur me autoritetet amerikane.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit amerikan Joe Biden, që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo ka deklaruar se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.

Më 15 gusht, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se që nga mesi i korrikut janë në diskutim me autoritetet amerikane sa i përket strehimit të afganëve që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përgjigje pozitive për strehim të afganëve kanë dhënë edhe autoritetet në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Situata në Afganistan ka nisur që të përkeqësohet prej kur trupat ndërkombëtare kanë nisur të largohen nga ky shtet, në maj të këtij viti.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Qeveria e Kosovës: Jemi në komunikim me SHBA-në për strehimin e afganëve

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës e ndriçuar me ngjyrat e flamurit të Shteteve të Bashkuara. Prill, 2020.

Luljeta Krasniqi – Veseli

Që nga mesi i korrikut, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, është në komunikim dhe në bashkëpunim me autoritetet amerikane, sa i përket mundësisë së strehimit të afganëve, që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara.

Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, Luan Dalipi shefi i stafit të kryeministrit të Kosovës, tha se “gjithçka do të përmbyllet mirë”.

“Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. SHBA-ja është aleatja jonë kryesore dhe partnerja jonë strategjike”, tha Dalipi.

Agjencia Reuters raportoi më 13 gusht se Qeveria amerikane ka zhvilluar bisedime të fshehta me Shqipërinë dhe Kosovën për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan.

Burimet i kanë thënë agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve. Por diplomatët amerikanë kanë thënë se në Uashington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova duhet vullnetarisht të strehojë afganët që kanë bashkëpunuar me SHBA-në.

“Kosova të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë dhe të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ishin ata pranë nesh, kur riatdhesuam shtetasit e Kosovës nga Siria”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Shqipëria konfirmoi të dielën, më 15 gusht, se i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara për strehimin e afganëve, derisa atyre t’u përfundojë procesi i miratimit të vizave amerikane.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se “pa diskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria”.

Në Afganistan, militantët talibanë po marrin me shpejtësi kontrollin nga forcat qeveritare, teksa forcat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë nisur tërheqjen.

Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.

Tenori me famë botërore Ramë Lahaj Edi Ramës: Po të drejtohem në emnin e të gjithë kosovareve, anulo Goran Bregoviqin!

Tenori me famë botërore Ramë Lahaj i drejtohet përmes rrjetit social Edi Ramës si më poshtë vijon:
 Z. Edi Rama po të drejtohem në emnin e të gjithë kosovareve, anulo Goran Bregoviqin!
Ai dhe kangët e tij që ishin himni i çetnikëve serb për të prerë fëmijët, nanat, motrat, vëllezërit e baballarët tanë nuk mund t’ jene në Shqipni për të festuar në festen e birrës.
Zgjidh ke të duash nga artistet me mua në krye, ani pse nuk këndoj në festa birrash,
por po të vij unë dhe gjithë koleget pa asnjë lloj detyrimi,
me festu së bashku me muzikën tone të bukur shqipe.
Po jo me atë që neve na i prenë fëmijët në djep .
Tregohu burrë nji here në jetë e mos na lëndo ma shumë.
Mos na i qit krip plagës.
Unë jam vet artist, e misioni i artistit është me ndjellë paqe përmes artit, por ky rast asht krejt ndryshe dhe ju e dini pse! E sa i përket renditjes se kush erdh i pari e kush i mrami kur Shqipninë e dridhi tërmeti, n’ ketë punë renditja asht krejt e pa ransishme! Shipnija asht bo sofra e shtrati jone at‘here kur çetniket serb me kangët e Goranit na i ka permys e djegë shpiat e baballarëve. Mos i rafte kurrë Shipnisë me u provu në të keq, se t’ madh e t’ vogël aty na ka. T’ paret!
Thuaj jo Bregoviqit z. Kryeministër!
Shipnisë nuk i ka hije me bo dasem me dajre t’ çetnikëve.”

Ndahet nga jeta politologu Ramush Tahiri

Të premten (13 gusht) është ndarë nga jeta politologu kosovar, Ramush Tahiri. Ka qenë nënkryeministër në Qeverinë Bukoshi.

Tahiri një periudhë ka qenë këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga e cila ka shërbyer në këtë pozitë nga viti 2011 deri në vitin 2016, si dhe i Nexhat Dacit, derisa ka qenë kryetar i Parlamentit të Kosovës, në vitet 2001-2006.

Ish-presidentja, Atifete Jahjaga, shprehur pikëllimin nga humbja e bashkëpunëtorit të saj.

“Me Ramushin kaluam nëpër batica e zbatica politike gjatë kohës sa isha presidente e Republikës. E çmoja për maturinë e tij dhe besimin e palëkundur se mund të zgjidhen problemet edhe kur ato dukeshin të pazgjidhshme”, ka shkruar Jahjaga në rrjetin social Facebook.

Politologu Tahiri për shumë vite ka qenë pjesë e pjesëmarrës aktiv i jetës publike në Kosovë me diskutime, analiza dhe opinione për aktualitetin politik.

Qeveria ua ndal pensionet e veteranëve të UÇK-së nga Shqipëria

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Shqipëria kanë një muaj që nuk marrin pension për kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës. Kjo për shkak se pensionet u janë ndalur nga Qeveria e Kosovës.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së në Tiranë dhe Prishtinë.

Për ndalesën e pensioneve ka reaguar kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK’së në Tiranë, Spiro Butka, i cili thotë se ky veprim i Qeverisë Kurti erdhi pa biseduar, konsultuar e as ballafaquar me veteranët e UÇK’së.

“Qeveria Kurti, në një ditë të trazuar në mëndje ligjërisht nga bajraktarizmi karrierist e megalomania e theksuar politike për të qenë dikushi, në të hyrë të muajit qershor 2021, pa biseduar, konsultuar e ballafaquar me ata që derdhën gjak, ata që u gjymtuan dhe ata që sakrifikuan jetën e familjen për këtë shtet, në ulëset e të cilit janë ulur gabimisht politikanë të pa arsyeshëm, ndalon shpërndarjen e suplimentit për kontributet e luftës, i ashtuquajtur qëllimisht pension, në mënyrë të veçantë për luftëtarët vullnetarë të ardhur nga trungu amë – Shqipëria, me pretekstin se ata bien ndesh me ligjin në Kosovë, ku sipas ligjit, nuk kanë të drejtë të marrin dy pagesa”, ka thënë Butka.

Ndërsa nga OVL’ja e UÇK’së në Prishtinë, ushtruesi i detyrës së kryetarit, Faton Klinaku, ka konfirmuar se veteranëve të UÇK’së në Tiranë, u janë ndalur pensionet që një muaj.

“Unë e di që një muaj apo dy, që i kanë verifikuar dhe janë arsyetuar me ligj. Për këtë kam dëgjuar edhe unë, por ata e dinë më mirë”, ka thënë Klinaku për Express.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë nga Shoqata e veteranëve të UÇK’së në Tiranë:

Ka më se dy muaj që Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurti, në kundërshtim me ligjin aktual të veteranëve dhe premtimet e fushatës zgjedhore, ua ndali pagesën, të emërtuar qëllimisht pension, në fakt është supliment për kontributin në luftë, që merret në të gjithë botën bashkë me pensionin pasi del në pension, si për shembull në Shqipëri ku çdo veteran i Luftës Dytë Botërore që ka dalë në pension, merr suplimentin për kontributin gjatë luftës nacional çlirimtare dhe për më tepër këtij suplimenti i shtohet suplimenti tjetër për ata që morën pjesë vullnetarisht në luftën e Spanjës dhe për partizanët e luftës nacionalçlirimtare që luftuan deri në Vishegrad në Luftën e dytë Botërore.

Mirëpo Qeveria Kurti, në një ditë të trazuar në mëndje ligjërisht nga bajraktarizmi karrierist e megalomania e theksuar politike për të qenë dikushi, në të hyrë të muajit qershor 2021, pa biseduar, konsultuar e ballafaquar me ata që derdhën gjak, ata që u gjymtuan dhe ata që sakrifikuan jetën e familjen për këtë shtet, në ulëset e të cilit janë ulur gabimisht politikanë të pa arsyeshëm, ndalon shpërndarjen e suplimentit për kontributet e luftës, i ashtuquajtur qëllimisht pension, në mënyrë të veçantë për luftëtarët vullnetarë të ardhur nga trungu amë – Shqipëria, me pretekstin se ata bien ndesh me ligjin në Kosovë, ku sipas ligjit, nuk kanë të drejtë të marrin dy pagesa.

Erdhëm në luftë për çlirimin e Kosovës vullnetarisht, sepse e ndjemë të nevojshme, të bashkonim forcat për çlirimin e Kosovës, për t’i treguar botës përparimtare se jeta vëllazërore që përshkon gjakun e çdo shqiptari, është e do të mbetet lufta e përbashkët që kemi bërë gjatë historisë për çlirim kombëtar. Nisur nga kjo ndjenjë e lartë patriotike, u rreshtuam në formacionet UÇK-së, atje ku kish nevojë ajo për ne si luftëtarë e ushtarakë të mirëfilltë karriere. Pas mbarimit të asaj lufte genocidale, një pjesë e vogël u inkuadrua në TMK, ndërsa të tjerë u rikthyen pranë familjeve të tyre.

Shpresojmë se drejtësia në Kosovë si element kryesor pas pushtetit legjislativ, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shqiptarët e kudo ndodhur, do të na japin të drejtën ligjore, ne luftëtarëve të trungut amë, që sakrifikuan jetën në luftë për çlirimin e trojeve etnike, krahas vëllezërve tonë shqiptarë të Kosovës shqiptare.

‘Respektoni dhimbjen tonë, anuloni koncertin e Bregoviçit’- Familjarët e të zhdukurve letër Bashkisë Korçë

‘Nëse koha gdhend gurin, ajo shkatërron njeriun. Vitet kalojnë, plakja si proces, nuk e shuan dhimbjen dhe kujtimin për ata që mungojnë’, është fjalia e fundit e familjarëve të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, drejtuar Bashkisë së Korçës, si lutje për të anuluar koncertin e këngëtarit serbo-kroat, Goran Bregoviç.

Pjesëmarrja e mundshme e Bregoviçit në Festivalin e Birrës në Korçë ka bërë që Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës të dërgoj ‘lutje’ në Bashkinë e Korçës që të anulohet performanca e tij.

Në letrën e dërguar në Bashki në emër të 20 shoqatave që përfaqësojnë familjet e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë janë renditur arsyet se pse duhet të anulohet pjesëmarrja e këtij këngëtari i cili mendohet se nën ritmin e muzikës së tij janë kryer krime lufte në Kosovë.

Përmes kësaj letre ata njëzëri kanë shprehur dhimbjen e tyre karshi kësaj situate e që i lëndon më së shumti kategorinë më të goditur nga lufta e fundit në Kosovës, familjarët e 1632 të zhdukurve. ‘E kaluara jonë ndonëse nuk është e largët, ajo vazhdon të jetë shumë e rëndë për ne.

Dhunimi në kohë terrori është më i lehtë i pranueshëm, sesa kur ndodhë në kohë lirie. Sot, familjet e personave të zhdukur, dhunohen në baza ditore, përkitazi me humbjen e cila iu është shkaktuar. Andaj ju lutemi të mos na lëndoni më shumë këto familje dhe iu kërkojmë të anuloni pjesëmarrjen e Goran Bregoviçit dhe çdo këngëtari e artisti serb, që frymëzoi kryerjen e krimeve mbi popullatën shqiptare’ shkruan në letrën e Këshillit.

Sipas tyre, pjesëmarrja e Bregoviçit do t’i lëndoj tejmase dhe do ia rikthej dhimbjen e tyre për këto 22 vite palufte. ‘E dimë që arti është përtej kufijve por e tillë duhet të jetë edhe dhimbja jonë dhe nëse nuk mund t’i bashkëngjitni kauzës sonë për të ditur të vërtetën për fatin dhe vend ndodhjen e më të dashurve tanë si një e drejtë elementare, të paktën respektoni dhimbjen tonë’ shkruan në letër.

Pjesëmarrja e Bregoviçit ka trazuar ujërat në Kosovë dhe Shqipëri javëve të fundit. Festa e Birrës, këtë vit do të organizohet tek Terminali i ri i Autobusëve, në hyrje të qytetit të Korçës nga 18 deri më 22 gusht.

 

Institutit Demokratik të Kosovës: Mospjesëmarrja e opozitës në votime ka paralizuar Kuvendin

Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka punuar me ritme të ngadalta gjatë sesionit të pranverës, por me performancë më të mirë monitoruese, sipas një raporti të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili monitoron rregullisht punën e Kuvendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Hulumtuesja e KDI-së, Agnesa Haxhiu, tha në një konferencë shtypi se Kuvendi kishte rritje të lehtë të numrit të seancave plenare dhe mbajti 23 seanca, përfshirë një konstituive, nga të cilat 16 ishin të rregullta, 4 të jashtëzakonshme dhe 3 ceremoniale.

Duke prezantuar raportin, Haxhiu deklaroi se Qeveria e Kosovës nuk arriti të përmbushë planin e saj legjislativ dhe se vonesa ndikoi drejtpërdrejt në dinamikën e punës së Kuvendit.

“Ky sesion është karakterizuar me numër të ulët të ligjeve të miratuara, vetëm shtatë sosh në krahasim me dhjetë ligjet e miratuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në bazë të agjendës legjislative të Kuvendit, janë proceduar deri në përfundim të sesionit 29 projektligje, prej të cilave shtatë janë miratuar, ndërsa 22 të tjera janë në procedurë të shqyrtimit nga komisionet parlamentare”, tha Haxhiu.

Raporti thekson se, megjithëse kjo përbërje e Kuvendit ka një shumicë të konsoliduar, mungesa e koordinimit është ende e pranishme. Mospjesëmarrja e opozitës në votim ka çuar në sfidën kryesore të Kuvendit, dhe kjo është dështimi për të votuar për ato pika që kërkojnë shumicën e dy të tretave të votave, siç është ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Në mungesë të votave të mjaftueshme, dy marrëveshje ndërkombëtare kanë arritur të miratohen vetëm pas tentativës së tretë prej momentit kur janë prezantuar para deputetëve, ndërsa dy të tjera kanë mbetur në procedurë të votimit në seancë, pasi për to nuk është arritur konsensusi i nevojshëm mes grupeve parlamentare, konkretisht mes shumicës parlamentare dhe opozitës”, deklaroi Haxhiu.

Raporti i KDI-së thotë se karakteristikë e Kuvendit gjatë sesionit të pranverës ishte shkarkimi i bordeve drejtuese ose individëve nga bordet, gjë që shkaktoi mosmarrëveshje mes shumicës dhe opozitës. Pavarësisht mosmarrëveshjeve, bordet drejtues të katër institucioneve të pavarura janë zëvendësuar.

Problemi që ka shoqëruar seancën pranverore ka qenë mungesa e deputetëve në seanca, si në të kaluarën, dhe të dhënat tregojnë se deri në fund të korrikut, deputetët kanë munguar 414 herë.

KDI rekomandoi që shumica të sigurojë mbështetjen e opozitës për miratimin e ligjit, të sigurojë transparencë në zgjedhjen e bordeve të reja drejtuese, të sigurojë debat më të gjerë publik në miratimin e ligjeve dhe të rregullojë mungesën e deputetëve me gjoba.

Sesioni i fundit pranveror u mbajt të enjten dhe deputetët shkuan në pushime verore deri në fillim të shtatorit.

Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës u konstituua më 22 mars 2021, pas zgjedhjeve të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti, në të cilat Lëvizja “Vetëvendosje” e Albin Kurtit fitoi shumicën. Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë.

Kosova kërkon dëshmi të vaksinimit nga 20 gushti

RFE/RL

Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për luftim të pandemisë së koronavirusit.

Në mesin e masave është përfshirë edhe dëshmia për vaksinim kundër këtij virusi për të hyrë në klube të natës, diskoteka, dasma dhe ahengje tjera familjare me mbi 100 persona, nga data 20 gusht deri më 10 shtator.

Në mungesë të dëshmisë për vaksinim, duhet të prezantohet testi negativ në koronavirus, jo më i vjetër se 72 orë, testi antigjen jo më i vjetër se 48 orë, ose dëshmia për tejkalim të koronavirusit brenda 180 ditëve.

Dëshminë për vaksinim duhet ta kenë edhe personat që punojnë në këto biznese dhe kanë kontakt me njerëz.

Bizneset do të detyrohen që të angazhojnë dikë që të kontrollojë dokumentet e kërkuara për të fituar qasje nëpër organizime.

Personat nën moshën 18-vjeçare nuk janë të detyruar të prezantojnë këtë dëshmi, përveç rasteve kur hyjnë në klube të natës.

Bartja e maskës është bërë e obligueshme, përveç rasteve kur një person ec vetëm në ambient të jashtëm, gjatë ngasjes së automjetit, vetëm, apo në grup me jo më shumë se katër persona, apo gjatë ushtrimeve fizike.

Shërbimet e gastronomisë do të mund të punojnë me 50 për qind të kapacitetit në ambientet e mbyllura dhe 70 për qind të kapacitetit në ambientet e hapura.

Pesëdhjetë infermierë do të ndihmojnë në rritje të kapaciteteve për vaksinim

Gjatë mbledhjes së Qeverisë është miratuar edhe kërkesa për ndarje të 80 mijë eurove për angazhim të 50 infermierëve, me qëllim të shtimit të kapaciteteve për imunizim të qytetarëve kundër COVID-19.

Kosova është ndër vendet me shkallën më të ulët në vaksinimit në rajon, ani pse autoritetet kanë thënë se ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë të rriturit.

Qytetarët e Kosovës mund të zgjedhin mes vaksinave të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca për t’u imunizuar kundër COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë ka thënë të enjten se në dy ditët e fundit është rritur interesimi për vaksinim, duke përmendur se të mërkurën janë vaksinuar rreth 18 mijë persona, ndërkaq të enjten rreth 19 mijë.

Ai ka theksuar se interesimi më i madh për vaksinim është vërejtur në Prishtinë.

Ramadani: Ende nuk është arritur imuniteti kolektiv

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, ka thënë në një konferencë për media me ministrin Vitia se pas analizave që janë bërë nga shpërthimi i pandemisë, është vërtetuar se ende nuk është arritur imuniteti kolektiv në Kosovë kundër koronavirusit.

“Rezultatet tregojnë se vetëm 38.8 përqind e popullatës e kanë kaluar koronavirusin, që do të thotë se rezultatet tregojnë qartë se akoma s’është arritur imuniteti kolektiv i kënqashëm që duhet për t’u mbrojtur në mënyrë natyrale nga COVID-19”.

Ai ka bërë thirrje për vaksinim, duke thënë se imunizimi është zgjidhja e vetme për mposhtje të pandemisë.

Sipas tij, pjesa më e madhe të infektuarve aktualisht është nën moshën 50-vjeçare.

Ramadani ka thënë se autoritetet janë duke shqyrtuar mundësinë e vaksinimit të fëmijëve nga mosha 12-vjeçare.

“Fuqishëm rekomandojmë vaksinimin e personave mbi 18 vjeç. Tashmë Komiteti për Imunizim në Ministrinë e Shëndetësisë është duke shqyrtuar mundësinë e vaksinimit të moshave 12 deri në 15 vjeç me prioritet, sipas indikacioneve shëndetësore”, ka thënë Ramadani.

Shifrat ditore të të infektuarve

Autoritetet shëndetësore në Kosovë janë duke regjistruar rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus në javën e fundit.

Vetëm të enjten janë regjistruar dy viktima me koronavirus.

Viktimat janë nga Suhareka dhe Vitia.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 1,009 raste të infektimit, pas testimit të 6,784 mostrave.

Pjesa më e madhe e të infektuarve janë të moshave nga 20 deri në 29 vjeç, përkatësisht, 269 persona.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se më 12 gusht janë shëruar 82 pacientë nga sëmundja COVID-19, derisa raste aktive janë 4,414.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 112,653 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,276 kanë vdekur.

Kosovë, 1 009 të prekur nga COVID-19

VOA

Të enjten në Kosovë u regjistrua numri më i lartë i të prekurve nga COVID-19, gjatë këtij viti.

Autoritetet shëndetësore konfirmuan se dy persona kanë humbur jetën, ndërsa janë regjistruar 1 mijë e 9 raste të reja të të prekurve nga COVID-19, në 24 orët e fundit.

Shkalla e më e lartë infektimeve është regjistruar tek personat nën 30 vjeç.

Në 12 ditët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 4 mijë e 285 raste të reja të të prekurve nga COVID-19 dhe 10 të vdekur nga pasojat e tij.

Mikrobiologu, Lul Raka, në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se institucionet duhet të marrin masa siç janë rritja e kontrolleve për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të virusit.

Ky inspektim dhe kjo mbikëqyrje duhet të fuqizohet po ashtu në vazhdën e zbatimin e mbajtjes së maskës sepse mbajtja e maskës është ende në fuqi mirëpo nuk po zbatohet sidomos në objekte të mbyllura publike dhe në transportin publik. Këto janë disa nga pikat kryesore, e pastaj masa tjera kufizuese duhet të fokusohen kryesisht te personat e pavaksinuar sepse kjo valë jo vetëm në Kosovë por edhe krejt botën është kryesisht valë e të pa vaksinuarve, pjesa më e madhe që preken janë të pavaksinuar.”, tha ai

Zoti Raka tha se në valën e re të infektimeve po preken moshat e reja e që sipas tij është një element pozitiv.

Pjesa më e madhe të rasteve të identifikuara gati 50 për qind janë nën moshën 30 vjeçare do të thotë janë të rinj dhe pjesa më e madhe e tyre e përballojnë shumë më lehtë se sa popullata e shtyrë në moshë kjo ndoshta do të ndikoj drejtpërdrejt edhe në dinamikën e hospitalizimeve mirëpo kjo mbetet të shihet në ditët në vijim. Ne prej fillimit kemi apeluar që të intensifikohet vaksinimi sepse me një numër më të madh të vaksinuarve shumë më lehtë do ta kishim menaxhuar por ditëve në vijim do të shohim a do të kemi rritje të hospitalizimeve dhe vdekjeve që është faktori kryesor që determinon masat parandaluese edhe rritja eventuale sigurisht që konform rritjes së tillë do të ketë masa kufizuese”, th ai.

Qeveria e Kosovës paralajmëroi masa kufizuese për të parandaluar rritjen e infektimeve dhe për të nxitur vaksinimin në masë. Deri sot 183 mijë persona janë vaksinuar me dy doza.

Konstituohet Komisioni i Përbashkët Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë

Prishtinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se zbatimi i deritanishëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE) ka qenë i ngadalshëm dhe duhet të përshpejtohet, raporton Anadolu Agency (AA).

Konjufca realizoi takim konstituiv të Komisionin e Përbashkët Parlamentar BE-Kosovë të Stabilizim-Asociimit (KPSA).

Ai theksoi se qëndrimi i përbashkët i të gjithëve në Kosovë është që vendi duhet të bëhet anëtar i plotë i BE-së, duke shtuar se procesi i integrimit evropian bashkon të gjithë shoqërinë kosovare.

“Siç dihet, Kosova ka hyrë në fazën e mesme të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por mund të konkludojmë se zbatimi i deritanishëm ka qenë shumë i ngadalshëm dhe kemi nevojë për një përshpejtim krejtësisht të ri”, tha Konjufca.

Ai kujtoi se Kosova ka një Plan Kombëtar të Zbatimit të MSA-së, ndërsa dje Qeveria e Kosovës miratoi planin e zbatimit të Agjendës Evropiane të Reformave, ERA 2, i cili do t’i përcillet Kuvendit për miratim. Gjithashtu, Kuvendi i Kosovës po zbaton një plan për të monitoruar procesin e integrimit për periudhën 2020-2021.

Kryetarja e KPSA-së, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi se takimi i parë me delegacionin e Parlamentit Evropian do të mbahet në nëntor në Prishtinë.

Kusari-Lila tha se ky proces paraqet vazhdimësinë e bashkëpunimit me BE-në, i cili sipas saj kërkon ndryshime, shtesa dhe përmirësime.

“Janë të nevojshme edhe korrigjime në proces si brenda vendit ashtu edhe në BE, si dhe ajo që është shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës, trajtim të barabartë, elementi që ka ngecur për një kohë të gjatë që ndan vetëm qytetarët tanë dhe që është liberalizimi i vizave, por edhe përmes reformave në të cilat do të angazhohemi së bashku me institucionet e BE -së”, tha ajo.

Deputetët e partive opozitare kanë kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet për formimin e komisionit me vonesë të madhe, duke pasur parasysh rëndësinë e integrimit evropian për Kosovën.

Komisioni i fundit përbëhej nga 13 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, si dhe anëtarë të Parlamentit Evropian, nga i gjithë spektri politik.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit midis BE-së dhe Kosovës hyri në fuqi në prill të vitit 2016 dhe është marrëdhënia e parë kontraktuale e Kosovës me BE-në.

Haradinaj tregon përplasjet me Ramën në prani të Merkelit: Jam detyruar t’i mbroj arat nga vëllai im! Do na dërgonte në luftëra të reja!

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur sot mbi përplasjet që ka pasur me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, një ditë pas reagimit të këtij të fundit.

Kreu i AAK-së në një intervistë për RTK-në tha se në Berlin nuk i mbrojti territoret e Kosovës as nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe as nga presidenti francez, Emmanuel Macron, por nga vëllai i tij shqiptar.

“Zhgënjimi i kryeministrit Rama ose ato që i thotë sot janë të pabazuara. Mendoj se në atë kohë ai ka qenë i rreshtuar gabim, pra për ndarjen e Kosovës për hapjen e kufijve të Kosovës, sigurisht që mjaft e rrezikshme për Ballkanin dhe do të na dërgonte në luftëra të reja. Jam detyruar t’i mbroj arat nga vëllai im Edi Rama”, tha Haradinaj.

Më herët, kreu i AAK-së konfirmoi bisedën me tone të ashpra që pati me Ramën, sikundër deklaroi dje edhe kreu i ekzekutivit shqiptar.

Ramush Haradinaj deklaron se e mbështet nismën për Ballkan të Hapur vetëm pasi Serbia të njohë Kosovës. Haradinaj thotë se ai i ka kërkuar Ramës dhe liderëve të rajonit që të ushtrojnë presion ndaj Beogradit dhe jo ndaj Kosovës.

Kosovë: Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021-2026

Edlira Bllaca

Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën Strategjinë për Sundimin e Ligjit 2021-2026, me të cilën synohet, siç u tha, fuqizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë, i drejtësisë penale, qasjes në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se miratimi i kësaj strategjie është në vazhdën e përpjekjeve të qeverisë për të rritur besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Këtë e kemi mendoj problemin më të madh në Republikën e Kosovës, pra humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe në këtë drejtim secili veprim në kuadër të ministrisë së Drejtësisë, por edhe qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë kthimi besimit të qytetarëve përmes veprimeve që i kemi ndërmarrë”, tha ajo.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se besimi i qytetarëve në drejtësi aktualisht është në shkallë shumë të ultë, rreth 15 për qind.

Rrjedhimisht, tha ai, miratimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit është ndër vendimet më të rëndësishme që ka marrë qeveria deri tash.

“Është një strategji në të cilën është punuar jashtëzakonisht shumë në katër – pesë vjetët e fundit, janë investuar me dhjetëra miliona euro nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo strategji për herë të parë pas viteve ‘99 e bën një vlerësim të qartë të gjendjes aktuale në sistemin e drejtësisë në Kosovë në të gjitha fushat”, tha ai.

Nëse kjo strategji zbatohet me vullnet politik e bashkërendim ndërinstitucional, thotë zoti Miftaraj, përmirësimi i sundimit të ligjit në Kosovë do të jetë i prekshëm në pesë vitet e ardhshme.

“Të lihen anash interesat personale. Nëse vazhdojmë me të vjetrën dhe kjo strategji zbatohet vetëm në pikat ku nuk preket interesi i gjyqtarëve, prokurorëve, policisë, agjencisë kundër korrupsion apo i politikës, kjo do të mbetet vetëm një strategji në letër e cila pas disa viteve mund të diskutohet se përse nuk është zbatuar”, tha zoti Miftaraj.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike e Politike i tha Zërit të Amerikës se ndër pikat më të rëndësishme të strategjisë janë procesi i vetingut dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

“Ajo për të cilën ne ndër vite kemi bërë thirrje është që procesi i vetingut të jetë i thellë, në kuptimin e asaj që i njëjti duhet të adresojë problemet shumëvjeçare të sektorit, duke u thelluar në verifikimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë. Verifikimi të përfshijë disa aspekte të cilat edhe me integritetin e këtyre pjesëtarëve e njëkohësisht vetëm ata që e kalojnë këtë verifikim të mbesin pjesë e sistemit dhe të rinjtë që vijnë nesër të futen pasi që e kalojnë një verifikim të tillë”, tha ajo.

Zonja Hoxha thotë se zbatimi i kësaj strategjie dhe në përgjithësi përmirësimi i sundimit të ligjit, luan rol thelbësor në rritjen e mirëqenies së qytetarëve si dhe në proceset integruese të Kosovës.

“Prandaj sistemi i drejtësisë në momentin që përballet me një reformë siç është vetingu, nëse kjo reformë adreson problemet kryesore që është mungesa e profesionalizmit dhe prania e korrupsionit e nepotizmit në sistem, atëherë vetëm në atë formë mund të themi që kemi pasur përmirësim në këtë sektor, përmirësim të dukshëm e të matshëm, i cili do të mund të reflektonte në përmirësimin e jetës së qytetarëve si dhe pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha zonja Hoxha.

Që nga përfundimi i luftës, sistemi i drejtësisë në vend ka mbetur një nga fushat më të kritikuara për shkak të problemeve me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është edhe ndër kriteret kryesore për përfshirjen e Kosovës në proceset integruese evropiane, krahas hapave tjerë për sigurimin e qëndrueshmërisë politike në vend.

Ish-ministri zbulon bisedën me fjalë të ndyta te zyra e Merkelit mes Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt

Ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Selim Selimi, i është kundërpërgjigjur Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se Ramush Haradinaj, derisa ishte Kryeministër, ia humbi Kosovës mundësinë për liberalizimin e vizave, raporton Express

Rama ndonëse nuk përmendi Haradinajn me emër, por iu referua si ‘lider kosovar’, Rama tha se ai në prezencë të Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit frances Emmanuel Macron, tha se “mu nuk më han luli për kta”.

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka shkruar në Facebook versionin e tij të këtij takimi.

“Një bisedë në hollin e pritjes në Bundeskanzleramt (Zyren e Kancelares) ku isha prezent: Lideri X: Po hiqe at dreq takse. Është koha të rregulloni marrëdhëniet me Serbi. Lideri Y: Nuk asht veç pun’ takse. Para dy ditëve kesh në Mejë e ju kom borxh qatyne të rënëve me ju mbrojt gjakun e dinjitetin. Lideri X: Ka përfunduar ajo kohë duhet të heqësh taksën e të arrish marrëveshje: Lideri Y: Ti kqyri punt e tua se as lu*i sme han për ty”, ka shkruar Selimi.

Ndryshe, kryeministri shqiptar sot në një status të gjatë në Facebook, ka reaguar i acaruar me sulmet nga Kosova.


Send this to a friend