VOAL

VOAL

Tre të vrarë në një incident me armë zjarri në komunën e Deçanit

VOA

Autoritetet në Kosovë thanë se tre persona u vranë dhe një tjetër mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri mbi një autobus në afërsi të fshatit Gllogjan të komunës së Deçanit, rreth 100 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Autobusi po udhëtonte nga Gjakova për në Deçan kur mbi të u qëllua me armë zjarri në orët e mbrëmjes.

Autoritetet thanë se shoferi i autobusit dhe dy të rinj të lindur më 2003 dhe 2004 kanë humbur jetën. I plagosuri është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Prokuroria tha se ka filluar hetimet por ende nuk dihet asgjë për rrethanat apo motivet e incidentit.

Zëvendësdrejtori i policisë në rajonin e Pejës, Veton Elshani, tha se besohet që një sulmues i maskuar qëlloi mbi autobusin me të cilin po udhëtonin tetë të rinj. Ai nënvizoi se “nuk ka arsye për të besuar se bëhet fjalë për sulm terrorist”.

Incidenti u dënua nga udhëheqës institucionesh e partish politike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi tronditës lajmin për sic tha ajo, “aktin kriminal në Gllogjan”, duke bërë thirrje për ndriçimin sa më të shpejtë të incidentit dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

“Sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj rendit e sigurisë sonë. Siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni”, shkroi presidentja Osmani.

“Sonte u tronditëm nga lajmi për sulmin me armë zjarri ndaj autobusit me nxënës në Gllogjan të Deçanit”, shkroi në rrjetet sociale, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke ngushëlluar familjet dhe të afërmit e viktimave.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh “i trishtuar nga sulmi kriminal që ndodhi në Gllogjan, ku humbën jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës. Bashkëndjejmë me familjarët e të vrarëve, duke u lutur për durim dhe forcë, në këto momente të rënda për të gjithë ne”, shkroi ai, duke bërë thirrje për ndriçimin sa më parë të incidentit dhe vënien para drejtësisë të autorëve të tij.

Vrasja u dënua edhe nga udhëheqës politikë në Shqipëri.

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, u shpreh “thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës! Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë! Autorët meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor!”, shkroi ai.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, shkroi në rrjetet sociale se “jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve. Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues”, shkroi ai.

Rreth 19 për qind e grave në Kosovë kanë hequr dorë nga të drejtat e tyre pronësore

Prishtinë

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci kanë organizuar diskutimin për lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje duke shënuar fillimin e fushatës për rritjen e ndërgjegjësimit “Mos vazhdo të jesh viktimë e dhunës në familje vetëm pse nuk ke nga të shkosh – Kërko të drejtën tënde në pronë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë diskutim, mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se të diskutosh për të drejtën pronësore është përçim i një mesazhi të qartë se fuqizimi ekonomik dhe barazia gjinore janë për një shoqëri ku vajzat dhe gratë ndihen të sigurta dhe të fuqizuara.

Presidentja Osmani tha se gratë dhe vajzat janë shtyllë e fuqishme e shoqërisë kosovare ndërsa pjesëmarrja e tyre në shoqëri, krahas burrave, kontribuon në të mirën e familjes dhe shoqërisë.

“Prona krijon mundësi për pavarësi ekonomike dhe fuqizim të zërit të grave dhe vajzave kundruall padrejtësive dhe pabarazive. Si rezultat i prezencës së mëtejme të qasjes patriarkale diskriminuese, në raport me të drejtën pronësore, gjendja aktuale sa i përket trashëgimisë pronësore vazhdon të mos jetë e kënaqshme. Një përqindje shumë e vogël e pasurisë nga prindërit, trashëgohet nga vajzat ndërkaq një përqindje po ashtu shumë e vogël është me gra pronare të pronave”, tha Osmani.

Ajo theksoi se të dhënat flasin për rritje të numrit të grave që kanë iniciuar kërkesa për trashëgimi të pronës dhe këtë e konsideroi zhvillim pozitiv. Osmani shtoi se sistemi gjyqësor duhet t’i trajtojë kërkesat për pronësi të grave në mënyrë të drejtë, efikase dhe pa vonesë.

Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars Gunnar Wigemark tha se Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë është i përkushtuar për barazi gjinore dhe luftë kundër dhunës në baza gjinore.

Ai tha se EULEX-i monitoron trajnime nga ana e gjyqësorit të Kosovës të rasteve gjyqësore që kanë të bëjnë me dhunën në familje.

Wigemark, i cili po ashtu foli për të drejtën pronësore për gratë, tha se mungesa e qasjes në të drejtat pronësore dhe ekonomike promovon një kulturë të cenueshmërisë, ku shumë gra ndihen se nuk kanë alternativa të tjera përveç të qëndruarit në marrëdhënie të dhunshme.

“Rreth 19 për qind e grave në Kosovë kanë hequr dorë nga të drejtat e tyre pronësore apo të trashëgimisë ndërsa rreth 38 për qind e burrave dhe 33 për qind e grave nuk mendojnë se gratë duhet të kenë mundësinë e trashëgimit të pronës nga familjet në të cilat janë lindur”, tha Wigemark i cili theksoi se gratë nuk kanë shpesh mungesë të burimit të të ardhurave jashtë shtëpisë.

Ai shtoi se fakti që shumica e grave në Kosovë nuk i ushtrojnë të drejtat e tyre themelore të pronësisë është një prej shkaqeve kryesore të dhunës në familje.

Në Kosovë zyrtarisht janë të punësuara vetëm 14 për qind e grave dhe kanë burimet e tyre të të ardhurave.

Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Grave – 25 Nëntori, ka shënuar nisjen e fushatës “UNiTE” në Kosovë për t’i dhënë fund dhunës kundër grave – një nismë prej 16 ditësh aktivizimi që përfundon në ditën që përkujton Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, më 10 dhjetor.

Lajçak: Ka hapësirë për progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

RFE/RL

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak tha më 25 nëntor se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, derisa theksoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë Bashkimin Evropian.

Ai tha se gjatë vizitës në Kosovë ka diskutuar për një takim të mundshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që BE-ja shpreson se do të mbahet para fundit të vitit.

Pas takimit me kryeministrin Kurti, Lajçak tha se nuk është i rëndësishëm vetëm caktimi i takimit, por edhe rezultati mund të ketë ai.

“Nuk është në pyetje takimi, sepse liderët janë takuar dy herë, por siç e dini nuk ka pasur rezultate pozitive. Kësaj here, ambiciet tona janë ndryshe dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe për t’u pajtuar se cili do të jetë rezultati”, tha Lajçak.

Ai shtoi se palët kanë shprehur vullnet të mirë për procesin e dialogut dhe “ne vetëm duhet të sigurohemi që takimi do të prodhojë rezultate”.

Lajçak ka qëndruar për vizitë njëditëshe në Prishtinë me ç’rast u takua edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë takimit me Osmanin, Lajçak tha se ka nevojë për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Në anën tjetër, presidentja Osmani deklaroi që Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialogun me Serbinë. Sipas saj, suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por edhe rajonin.

Megjithatë sipas Osmanit epilogu i dialogut do të duhej të ishte njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, thuhet në njoftimin e presidencës kosovare.

Lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është e pritshme që marrëveshja finale të arrihet gjatë mandatit të tij.

Bisedimet për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qysh në vitin 2011. Që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh, porse shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.

Dialogu u ndërpre disa herë për arsye të ndryshme. Por, së fundmi pengesë në dialog u bë, marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës.

Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja palët.

Edita Tahiri: Rama po bëhet levë e Beogradit për destabilizimin e rajonit

Edi Rama të mos bëhet levë e Beogradit për destabilizim të rajonit. Kështu deklaroi për Euronews Albania ish- kryenegociatorja në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri.

Znj.Tahiri nënvizoi se realiteti në Ballkan është shpërthyes në kuptimin e situatës së tensionuar dhe faktori kryesor është Serbia në bashkëpunim me Rusinë.

“Krijojnë tensione, në favor të Serbisë së madhe. Shqipëria të luajë rol stabilizues, jo t’i bëhet levë e këtyre përpjekjeve të Serbisë, destabiliuese dhe të Serbisë së Madhe. Shqipëria të marrë rolin për stabilizim të rajonit”, deklaroi ajo.

Znj. Tahiri nënvizoi se afërsia e Ramës me qeverinë e Serbisë është e dëmshme jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonin.

“E para është politika e jashtme, unë shoh disa elementë të pakëndshëm në politikën shqiptare dhe kjo lidhet me këto iniciativat rajonale, por më serioze është si problem që Shqipëria duhet të dijë se kush janë fqinjët e Shqipërisë dhe cilët janë fqinjët e Kosovës. Këtu kemi një ngatërresë, që kjo afërsia me Ramës dhe qeverisë së Serbisë në një përshtypje se gjoja janë vende fqinje dhe kjo afri kaq e madhe nuk po duket e mirë, e dëmshme jo në raport me Kosovën por edhe në Ballkan”, tha ajo.

Ish-zyrtarja e lartë deklaroi se  s’duhet të ketë vetëm fjalë të bukura nga ana e Ramës, por veprime konkrete.

Sa i përket mbledhjes së nesërme, znj. Tahiri tha se duhet të ketë më shumë  rezultate në zbatimin e marrëveshjeve sesa në rritjen e numrit të marrëveshje.

“Dua që në mbledhjen e nesërme të ketë një raport transparent për të gjithë opinionin publik për shkallën e zbatueshmërisë së këtyre marrëveshjeve”, u shpreh ajo. syri.net

Meta nga Prishtina: Ballkani i Hapur rivalizon procesin e Berlinit, ringjall fantazmën e Millosheviç

Nga Prishtina, presidenti Ilir Meta është shprehur se ka dy rezerva për nismën Ballkani i Hapur, pjesë e të cilës janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Meta deklaroi se ai shpalos një politikë përjashtuese si dhe përpiqet të rivalizojë procesin e Berlinit.

“T’i përmbahemi zbatimit të marrëveshjeve. Kjo është shumë e rëndësishme. Ka një varg “Ah sikur të bëhet edhe një mbledhje që t’i jepte fund të gjitha mbledhjeve”. Duhet t’i shmangemi çdo tentative për t’i personalizuar raportet e pazëvendësueshme Shqipëri-Kosovë. Nuk mund të jetojmë me iluzionin që ajo që po shohim të ndodhë në Serbi apo Bosnje, nuk ka ndikim te ne.

Arkitektura e paqes dhe sigurisë është garancia më e mirë dhe më e sigurt për të ardhmen e vendeve tona. Duhet të jemi të vendosur për të refuzuar çdo flirt anti europian. Shqipëria do të përmbushë angazhimet e saj si vend anëtar i NATO-s. Rezerva e parë që kam për Open Balkan është parimore. Bashkimi nuk mund të ofrohet përmes politikës përjashtuese.

Prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi në konsideratë parimet që garantojnë bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Rezerva e dytë lidhet me përpjekjet për të rivalizuar procesin e Berlinit. Ballkani i Hapur e parcelizon bashkëpunim vetëm në tre vende dhe duket sikur i jepet Serbisë kundrejt një sjellje më të balancuar në rajon. Si mundet t’u besojmë qëllimeve të mira kur ringjallet fantazma e Millosheviç”, tha Meta.

Deklarata e kreut të shtetit shqiptar u bë sot paradite gjatë një fjale të mbajtur në Universitetin e Prishtines AAB.

E mërkura ditë zie në Kosovë

RFE/RL

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur të mërkurën, më 24 nëntor, ditë zie shtetërore për viktimat e aksidentit tragjik në Bullgari.

Në njoftimin për media të zyrës së presidentes thuhet se presidentja Osmani “ka marrë vendim që të mërkurën, më 24 nëntor 2021, të shpallet ditë zie shtetërore në shenjë solidarizimi dhe nderimi të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shumica dërmuese bashkëkombës tanë, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Bullgari”.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur të martën tri ditë zie kombëtare pas aksidentit, që la të vdekur të paktën 46 persona.

Zyrtarët në Maqedoni të Veriut thanë se aksidenti ndodhi në një autostradë në perëndim të Bullgarisë, ku një autobus me 53 pasagjerë, shumica nga Maqedonia e Veriut, fillimisht u aksidentua e më pas u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.

Në mesin e viktimave ka edhe të paktën 12 fëmijë. Në një spital në Sofje të Bullgarisë janë duke u trajtuar shtatë persona që i shpëtuan aksidentit.

Raportohet se shumica e viktimave ishin nga Shkupi dhe ishin duke u kthyer nga Stambolli i Turqisë, ku kishin qëndruar në një vizitë treditore.

Abdixhiku bën homazhe tek varri i Xhemajl Mustafës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe tek varri i veprimtarit të vrarë të LDK-së, Xhemajl Mustafa, raporton Gazeta Express.

Abdixhiku ka thënë se Xhemaj Mustafa është një nga figurat kryesore të lëvizjes politike të viteve 90-të.

“Xhemajl Mustafa është një nga figurat kryesore të lëvizjes politike të viteve 90’, personalitetet i afërt dhe mik i ngushtë me Presidentin Rugova, ai ishte prijatar i shumë proceseve në kohët më të vështira për Kosovën. Opusi i tij jetësor e krijues shtrihet në shumë dimensione”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se vrasja e tij ishte goditje jo vetëm për LDK-në por edhe për Kosovën

“Në kohën kur ideali i lirisë ishte arritur, Xhemajl Mustafës iu ndal rruga në gjysmë – në hyrje të banesës së tij, ai u vra gjakftohtësisht më 23 nëntor të vitit 2000.Vrasja e tij ishte një goditje e madhe jo vetëm për LDK-në por edhe për Kosovën.Sot, edhe pas 21 vitesh, vrasja e tij mbetet e pazbuluar, për familjen, LDK-në dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij, ndaj dhe dhimbja bëhet edhe më e madhe çdoherë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Xhemajl Mustafës!”, ka thënë Abdixhiku.

Latifi: Ideja e Bashkimit Kombëtar i ka dy plagë, ato vështirë se i shërojnë elitat tona politike e kulturore

Profesori Blerim Latifi thotë se ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë ka vuajtur gjithmonë nga plagët e shkaktuara nga fqinjët tanë dhe vetë shqiptarët.

Duke marrë shkas nga deklarata e djeshme e kryeministrit Albin Kurti për revistën britanike, “Monocle” se do të votonte pro bashkimit me Shqipërinë në një referendum paqësor e demokratik, si dhe reagimet që pasuan, Latifi shkruan se është vështirë që këto dy plagë të kësaj ideje t’i shërojnë elitat politike e kulturore të Kosovës, shkruan Gazeta Express.

“Ideja e Bashkimit Kombëtar të Shqiptarëve historikisht ka vuajtur nga dy plagë të mëdha. Njëra është plaga e shkaktuar nga fqinjët tanë, që e demonizonin këtë ide, duke e paraqitur si shoviniste dhe kërcënim për paqën në Ballkan. Fatkeqësisht ne kurrë nuk kemi qenë në gjendje ta rrëzojmë këtë imazh”, ka shkruar Latifi.

“Plagën tjetër ia kanë shkaktuar vetë shqiptarët, duke e përdorur idenë e Bashkimit Kombëtar për të mbledhur vota për pushtetet e tyre.
Edhe sot vazhdon vazhdon e njëjta gjë: fqinjët e përdorin këtë ide për të penguar fuqizimin kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, e ne si mjet propagandistik për t’ia rrëmbyer pushtetin njëri-tjetrit në mahallat tona politike”, ka shtuar ai.

Latifi pyet se “A ka shërim për këto dy plagë?”, ndërsa shton: “Me elitat politike e kulturore që kemi, vështirë të thuhet po”.

Albin Kurti bisedon në telefon me Gabriel Escobar, flasin për temën e njohjes reciproke

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka zhvilluar një telefonatë me Përfaqësuesin Special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar me të cilin kanë diskutuar për një numër çështjesh, shkruan Gazeta Express.

Kurti ka thënë se kanë diskutuar edhe për çështjen e dialogut dhe nevojën për të pasur rezultate, progres në një proces që duhet të përfundojë me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në një bisedë telefonike me të dërguarin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar. Diskutuar për një sërë çështjesh përfshirë reformat demokratike, programin mbi punë dhe drejtësi, angazhimin për dialog dhe nevojën për të parë rezultate dhe progres që përqendrohet në njohje reciproke”, ka shkruar Kurti.

Blerta Deliu thotë se nuk mendon se grupi “Kumanova” janë terroristë

Deputetja Blerta Deliu-Kodra ka reaguar nëpërmjet llogarisë së saj në Facebook lidhur me debatin që u zhvillua sot në Kuvendin e Kosovës në mes saj dhe Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Deliu-Kodra, ka deklaruar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, se kunati i Ministres Haxhiu, është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.

Deliu-Kodra ka kritikuar Ministren Haxhiu derisa thotë se nuk mendon se pjesëtarët e grupit ‘Kumanova” janë terroristë.

“Në rrethana të këtij diskursi të nxitur nga pushteti, duke u ballafaquar me shpifjet e Ministres Haxhiu, kam cilësuar pa qëllim një rast që ndërlidhë Ministren Haxhiu me familjarë të saj, të cilët nga një entitet i huaj juridik janë akuzuar gjoja për terrorizëm. As nuk kam thënë e as nuk kam menduar dhe as nuk besoj që ata janë “terroristë”’, thotë Deliu-Kodra.

“Ndjej vërtetë keqardhje, që kjo deklaratë e thënë në kontekst të ballafaqimit me shpifjet e Ministres Haxhiu, të mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër në çfarëdo forme, dhe keqardhja ime është e sinqertë, sepse në asnjë ç’rast nuk ka qenë qëllim i imi, të ketë këso cilësimesh”, shtoi ajo.

Shkrimi i plotë i Blerta Deliu-Kodra

Të dashur bashkëqytetarë të Kosovës dhe bashkëkombës tanë.

Një seancë e zakonshme që do të duhej të përmbushte misionin legjislativ të Kuvendit, sot u shndërrua në arenë të sulmeve e shpifjeve më të ulta nga Ministrja Albulena Haxhiu, e cila duke dëshmuar në mënyrë konsistente paaftësinë e saj, paturpësisht shfrytëzon besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për ta drejtuar këtë paaftësi si mllef patetik ndaj opozitës, në këtë rast, ndaj meje si deputete e Kuvendit.

Ky pushtet arrogant për nga natyra, tashmë ka marrë formë edhe përmbajtje të hapur, me sulme e shpifje, si mënyra e vetme për t’iu shmangur ballafaqimit të njëmend me fakte e argumente, pikërisht si mënyrë për të amnistuar dështimet dhe paaftësinë. 

Në rrethana të këtij diskursi të nxitur nga pushteti, duke u ballafaquar me shpifjet e Ministres Haxhiu, kam cilësuar pa qëllim një rast që ndërlidhë Ministren Haxhiu me familjarë të saj, të cilët nga një entitet i huaj juridik janë akuzuar gjoja për terrorizëm. As nuk kam thënë e as nuk kam menduar dhe as nuk besoj që ata janë “terroristë”.

Ndjej vërtetë keqardhje, që kjo deklaratë e thënë në kontekst të ballafaqimit me shpifjet e Ministres Haxhiu, të mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër në çfarëdo forme, dhe keqardhja ime është e sinqertë, sepse në asnjë ç’rast nuk ka qenë qëllim i imi, të ketë këso cilësimesh. 

Në anën tjetër, përpjekja për ta përdorur këtë diskurs nga reagimet e pushtetit arrogant, si instrument për të bërë çfarëdo cilësimi e ndërlidhje që lëndon kauzën tonë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda këtij konteksti, me mua si politikane dhe deputete, janë irracionalitet.

Unë, para se të jem deputete, i takojë dy familjeve Kodra (Prekaz) dhe Deliu (Rezalle), të cilat kanë kontribuar dhe dhënë shumë për vendin dhe lirinë tonë. Jam e vetëdijshme se kurrë nuk mund t’u dalim hak atyre që kanë dhënë gjithcka për këtë liri.

Përulja dhe respekti shkon për të gjithë ata që nuk kanë kursyer asgjë për liri.

Borrell paralajmëron takim Kurti-Vuçiq para fundit të vitit

RFE/RL

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se pret që udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen para fundit të vitit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke folur pas një diskutimi të ministrave të Jashtëm të BE-së për situatën në Ballkanin Perëndimor, Borrell tha se ftesa e tij për liderët e Kosovës dhe të Serbisë shkon në këtë drejtim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 19 korrik, por pa arritur përparim në ndonjërën prej çështjeve kontestuese.

Borrell tha se pret nga Kosova dhe Serbia që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Ndërkaq, të martën, në Bruksel pritet të zhvillohet një takim i ri në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve dhe sipas burimeve, temat e diskutimeve lidhen me zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme.

Gjatë diskutimit të ministrave për Ballkanin Perëndimor, sipas Borrellit, fokusi ka qenë në situatën në Bosnje e Hercegovinë, të cilën ai e cilësoi si serioze.

Udhëheqësi i serbëve në Bosnje, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republikës Sërpska – entitet i banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Borrell tha se “Bashkimi Evropian ka qëndrim të qartë për një Bosnje e Hercegovinë unike” dhe se mbështet “integritetin e saj territorial, si një shtet sovran dhe i pandashëm”.

Ai tha se situata në këtë shtet është rënduar, për shkak të obstruksionit që bëjnë disa politikanë, sidomos me “idetë secesioniste”, që, sipas tij, vënë në dyshim integritetin territorial të këtij shteti.

Edhe pse zgjerimi i BE-së nuk ishte temë e diskutimeve në takimin e ministrave, Borrell tha se pret që para fundit të këtij viti të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Nisja e këtyre negociatave është me rëndësi për rajonin, por edhe për kredibilitetin e Bashkimit Evropian”, tha Borrell.

Para takimit, Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, tha se raportet e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në nuk janë vetëm rreth zgjerimit, por kanë të bëjnë edhe me përshtatjen e politikës së tyre të jashtme me atë të BE-së.

Varhelyi tha se zgjerimi mbetet vegla kryesore e BE-së për të forcuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se pret që tani, pas zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari, të ketë lëvizje të shpejta pozitive në terren, që do të mundësonin nisjen e negociatave të anëtarësimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së dhe midis Shqipërisë dhe BE-së.

“Ne jemi të gatshëm për këtë dhe akoma shpresoj se kjo mund të ndodhë para fundit të këtij viti”, tha Varhelyi.

Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave, por kjo është bllokuar nëntorin e kaluar në Këshillin Evropian – në rastin e Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Kjo, pastaj, ka ndikuar që të mos nisin negociatat as me Shqipërinë.

Në takim, ministrat e BE-së kërkuan që të ketë një bashkëpunim më të madh me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor edhe në politikën e jashtme.

Kërkesat më urgjente për Përparim Ramën

Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama.

Arton Konushevci

Nasuf Zena, librashitës në Prishtinë, thotë se kryetari i ri i komunës, Përparim Rama, duhet të merret me lirimin e rrugëve, në mënyrë që banorët e kryeqytetit të mund të qarkullojnë më lehtë.

“Trafiku urban është jashtëzakonisht keq. Trafiku, në përgjithësi në Prishtinë, është kaotik”, thotë Zena për Radion Evropa e Lirë.

Përparim Rama, arkitekt me profesion, fitoi garën zgjedhore për Komunën e Prishtinës në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, që u mbajt më 14 nëntor.

Rama mposhti kundërkandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia.

Në plan-programin e tij për udhëheqjen e kryeqytetit me mbi 218,000 banorë ka premtime që variojnë nga rregullimi i vend-parkimeve deri te rritja e hapësirave të gjelbra.

Si Zena, sa u përket çështjeve që duhen adresuar më me urgjencë, mendojnë edhe bashkëqytetarë të tjerë të tij.

“Parkingje duhet të ketë më shumë. Të shumohen autobusët publikë, të ketë linja më të rregullta”, thotë Gyltene Lumi, mësimdhënëse në njërën nga shkollat e kryeqytetit të Kosovës.

Rama është zotuar se problemin e parkimit të veturave do ta zgjidhë “njëherë e përgjithmonë”.

Ai ka premtuar se do të ndërtojë vend-parkingje të mëdha në gjashtë pika kryesore rreth unazës së brendshme të Prishtinës dhe ka thënë se distanca e tyre do të jetë rreth 500 metra nga secila pikë e qendrës.

Profesori i pensionuar i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, Bajrush Bytyçi, thotë se është pak optimist për realizimin e premtimeve të dhëna, por gjërat mund të ndryshojnë, nëse, sipas tij, punohet drejt.

“E para, duhet të merret me komunikacion. E dyta, duhet të ndalen ndërtimet pa leje. Gjithçka duhet të vendoset në binarë, duhet të punohet me meritokraci dhe me drejtësi. Nëse punohet kështu, çdo gjë do të vijë në vete”, thotë Bytyçi.

“Ridefinimi i qendrës së qytetit” është njëri ndër projektet kryesore që Rama ka nxjerrë në programin e tij.

Me këtë projekt parashihet që qendër e Prishtinës të bëhet e gjithë hapësira brenda unazës së brendshme të qytetit.

Unaza e brendshme parasheh lidhjen e rrugëve nga Rruga e Veternikut – te Zona Industriale – deri te Qendra e Panaireve.

Por, për Luljetën, juriste e diplomuar, qentë endacakë janë një problem që duhet adresuar më me urgjencë.

“Sot në mëngjes, duke ardhur në punë, kam hasur në stacion – aty ku kam pritur autobusin – pesë apo gjashtë qen. Mendoj se kjo është një nga punët e para që do zgjidhje. Besoj se punët e tjera dihen, infrastruktura, komunikacioni shumë i dendur…”, thotë Luljeta.

Sipas Blertës, e cila thotë se është një nënë e re, kryetari i ri duhet të punojë edhe në ndërtimin e kopshteve të reja shtetërore për fëmijë.

“Duhet të ketë më shumë mundësi që të pranohen fëmijët e vegjël, të mos ketë nevojë për intervenime. Pasi nuk ka çerdhe shtetërore, obligohesh të drejtohesh tek ato private”, thotë Blerta.

Në mënyrë që nënat të marrin pjesë në tregun e punës, kryetari i ri është zotuar se do t’i bëjë kopshtet e fëmijëve më të qasshme.

Rama po ashtu ka thënë se në Prishtinë mungojnë shtatë objekte shkollore të nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët dhe ka premtuar se ato do të ndërtohen në lagjet: Sofali, Kodrina, Qëndresa, Përroi i Njelmët, Kalabria, Kodra e Trimave dhe Prishtina e Re – Qendër.

“Ka nevojë për shkolla, mësuesit të monitorohen, sepse mësimi është katastrofë. Nuk po di çka të them, se gjithkund ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme”, thotë një pensioniste, e cila dëshiroi të mbetet anonime.

Sali Berisha, i cili para disa viteve ka punuar në Komunën e Prishtinës dhe sot është pensionist, thotë se Prishtina ka nevojë urgjente për rregullimin e parqeve dhe të kanaleve të ujërave të zeza.

“Parqet, rrugët dhe ndriçimi të bëhen. Ujërat e zeza të rregullohen se mbaruan njerëzit. Mendoj se Rama është i duhuri për atë pozitë që është zgjedhur”, thotë Berisha.

Kryetari i porsazgjedhur po ashtu është zotuar se do të kompletojë rrjetin e Qendrave të Mjekësisë Familjare në tërë territorin e Komunës së Prishtinës, duke e bërë një qendër të mjekësisë familjare të disponueshme për 10,000 banorë.

Ai po ashtu ka thënë se do të rrisë nivelin e hapësirave të gjelbra.

Qytetarët e Prishtinës kanë katër vjet kohë, aq sa duhet të zgjasë edhe mandati i Ramës, për të parë ndryshimet e premtuara.

Numërohet shumica e votave të balotazhit

RFE/RL

Përmbledhja

  • Në Kosovë më 14 nëntor u mbajt raundi i balotazhit, ku qytetarët votuan për krerët e rinj të 21 komunave, pasi më 17 tetor zgjodhën kryetarët e 19 komunave dhe anëtarët e rinj të asambleve komunale.
  • Të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kishin 1,260,571 qytetarë.
  • Lëvizja Vetëvendosje garoi në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës në tetë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në pesë komuna, Nisma Socialdemokrate dhe Partia Socialdemokrate, Lista Serbe dhe GI SNS në nga një komunë.
  • Garat më të paparashikueshme pritet të jenë në Prishtinë, Prizren, Gjilan dhe Podujevë.

Vitia: Po presim rezultatet e KQZ-së

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia tha se janë duke pritur rezultat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Vitia tha se sipas rezultateve të deri anishme është duke u zhvilluar një garë e ngushtë me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.

“Është një rezultat i ngushtë. Derisa të përfundon i gjithë numërimi nuk mund të japim asnjë sqarim”, tha Vitia.

Ai ka vlerësuar procesin zgjedhor të jashtëzakonshëm dhe shembull për vendet e rajonit dhe më gjerë.

“Kosova po jep shembull për organizim të zgjedhjeve”, tha ai.

Arben Vitia duke votuar në zgjedhjet në Prishtinë.

Arben Vitia duke votuar në zgjedhjet në Prishtinë.

Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të 66 për qind të votave, Rama po prin me 51,24 për qind, ndërkaq Vitia ka 48,76 për qind të votave.

Rezultatet preliminare: LDK-ja prin në Prishtinë

Sipas rezultateve preliminare, me mbi 40 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje po udhëheq në Kamenicë, Podujevë, Shtime dhe Gjilan. Lidhja Demokratike e Kosovës po prin në Prishtinë, Istog, Fushë Kosovë dhe Viti.

Partia Demokratike e Kosovës prin në Prizren, Gllogoc, Dragash, Kaçanik dhe Vushtrri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po udhëheq në Gjakovë, Klinë, Rahovec dhe Junik. Ndërkaq Nisma Social Demokrate prin në Malishevë.

Më 14 nëntor, qytetarët votuan në 21 komuna për të zgjedhur kryetarët e rinj.

Në Prizren prin PDK-ja, AAK-ja në Gjakovë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj po prin në zgjedhje, sipas të dhënave të prezantuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pas numërimit të 50 për qind të votave, Totaj prin me 54,88 për qind të votave.

Kundërkandidati i tij nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherësh kryetari aktual i komunës, Mytaher Haskuka ka fituar 45 për qind të votave.

Ndërkaq, në Gjakovë po udhëheqë Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Pas numërimit të 47 për qind të votave, Gjini ka fituar 62,19 për qind të votave, ndërkaq kundërkandidatja e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila 37,81 për qind të votave.

Në 21 komuna të Kosovës, të dielën u mbajt rundi i balotazhit. Dalja në zgjedhje ishte rreth 38 për qind.

Votimet në rundin e balotazhit.

Votimet në rundin e balotazhit.

KQZ: Fillon numërimi i votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se pas mbylljes së vendvotimeve në 21 komunat e Kosovës, ka nisur numërimi i votave.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se në rundin e balotazhit për zgjedhjet lokale, dalja ishte 37.88 për qind apo të drejtën e votimit e kanë ushtruar 475,751 qytetarë.

Garat për kryetarë të komunave u zhvilluan në Prishtinë, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe në Kllokot.

DnV kërkon përmbajtje lidhur me shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve

RFE/RL

Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitoron zgjedhjet në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), ka bërë thirrje për përmbajtje deri në shpalljen e rezultateve preeliminare për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Ky koalicion në një komunikatë për media ka thënë se procesi i sotëm i votimit është zhvilluar në mënyrë të qetë “por me pjesëmarrje më të ulët të qytetarëve në zgjedhje krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve lokale”.

“Ftojmë subjektet politike dhe mbështetësit e tyre që të mos shpallin fitoret eventuale bazuar në burime jozyrtare, por të presin shpalljen e rezultateve preliminare nga KQZ-ja”, thuhet në njoftimin e DnV-së.

Sipas DnV-së gjatë ditës nuk ka pasur ndonjë incident që do të cenonte gjithë procesin zgjedhor por sipas tyre janë regjistruar disa mangësi.

“Respektimi i masave mbrojtëse kundër Covid 19 ka qenë i mangët, sidomos nga votuesit në zonat rurale, por duke mos përjashtuar edhe stafin zgjedhor”, thuhet në komunikatë.

Sot më 14 nëntor qytetarët e Kosovës votuan për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave.

Deri në orën 19, përkatësisht deri në mbylljen e vendvotimeve, në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë kanë votuar rreth 38 për qind të votuesve.

Sipas KQZ-së, të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.

Komunat në të cilat po zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve lokale janë: Gjakova, Gllogovci, Gjilani, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Kamenica, Obiliqi, Rahoveci, Podujeva, Prishtina, Prizreni, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.

Mbyllet procesi i votimit për 21 komunat, pjesëmarrja 38%

Ka përfunduar procesi i votimit në Kosovë. Deri në orën 19:00 kanë votuar 38% e qytetarëve.

(DnV)

Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV), pjesëmarrja e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 është 23.6 për qind, rreth 2 për qind më e ulët se në raundin e parë të zgjedhjeve.

Komunat me daljen më të madhe vazhdojnë të jenë Mamusha (45%), Juniku (41%) dhe Kllokoti (37%) kurse ndërsa dalja më e ulët deri në 15:00 është regjistruar në komunën e Prizrenit (19%) dhe Dragashit (17%).

Sipas DnV, Fushë Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Vushtrria dhe Mamusha janë ndër komunat që krahasuar me daljen e votuesve në raundin e parë, kanë shënuar rënien më të madhe. Rritje domethënëse në trendin e votimit, krahasuar me raundin e parë, është shënuar në Junik, Podujevë dhe Shtime.

“Trendi i njëjtë i mosrespektimit të masave mbrojtëse kundër COVID 19 ka vazhduar edhe gjatë pjesës së dytë të ditës, si nga ana e stafit zgjedhor ashtu edhe nga qytetarët”, thuhet në njoftim.

“Me rritjen e daljes në zgjedhje të votuesve, janë rritur edhe rastet kur të njëjtit kanë hasur vështirësi në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve. Ky fenomen është raportuar në rreth 35% të vendvotimeve, me deri në 10 raste të raportuara në secilin prej tyre”.

Sa i përket votimit me asistencë, trendi ka vazhduar të rritet eksponencialisht që nga orët e paradites, duke bërë që ky fenomen të jetë i shprehur pothuajse në secilin vendvotim. Madje, në mbi 30% të vendvotimeve janë regjistruar deri në 50 raste të votimit me asistencë.

Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar në dy raste frekuentim të qendrave të votimit nga eksponentë të subjekteve politike, dhe atë në komunën e Gjakovës dhe Podujevës.

Votojnë kandidatët për Prishtinën
Paraditen e së dielës të dy kandidatët në garën për Prishtinën, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë votuar rreth orës 9:00.

Kandidati i LVV-së, Vitia, duke ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, ka thënë se dita e zgjedhjeve është “një ditë thelbësore për demokracinë dhe shtetin – sot vendoset fati i kryeqytetit – ndaj është shumë e rëndësishme që të gjithë të marrin pjesë në procesin e votimit”.

Edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Rama, ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, pasi siç ka thënë ai, “kohëra të mira për të gjithë qytetarët e Prishtinës po vijnë”.

Përveç Prishtinës, qytetarët do të zgjedhin krerët e rinj të komunave në Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe në Kllokot.

Kush me kë ballafaqohet?
Lëvizja Vetëvendosje, që udhëheq Qeverinë e Kosovës dhe që në zgjedhjet parlamentare të shkurtit fitoi mbi 50 për qind të votave, në rundin e parë nuk e fitoi asnjë komunë. Kjo parti përballet në 12 komuna në raundin e balotazhit.

Në zgjedhjet e rregullta lokale të vitit 2017, LVV kishte fituar tri komuna: Prishtinën, Prizrenin dhe Kamenicën.

LDK-ja në rundin e dytë garon në nëntë komuna, PDK-ja në tetë komuna, AAK-ja në pesë komuna, Nisma Social Demokrate dhe Partia Social Demokrate zhvillojnë gara në nga një komunë, ndërkaq, në komunën e banuar me shumicë serbe, Kllokot, në garë do të jenë Lista Serbe dhe GI SNS.

Garat më të paparashikueshme pritet të zhvillohen në Prishtinë dhe Prizren.
Gara për Prishtinën zhvillohet ndërmjet Arben Vitisë së Lëvizjes Vetëvendosje, që në rundin e parë fitoi 45.54 për qind të votave dhe Përparim Ramës nga Lidhja Demokratike e Kosovës që fitoi 29.17 për qind të votave.

Në Prizren ballafaqohen Mytaher Haskuka i LVV-së me 40.41 për qind të votave dhe Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës me 31.36 për qind të votave.
Balotazhi në Gjilan zhvillohet ndërmjet Lutfi Hazirit nga LDK-ja që mori 43.51 për qind të votave, dhe Alban Hysenit nga LVV-ja që mori 44.71 për qind të votave.

Për kreun e Komunës së Gjakovës garojnë Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që në rundin e parë fitoi 45.76 për qind të votave dhe Mimoza Kusari-Lila së LVV-së me 37.20 për qind të votave.

Balotazhi në Podujevë zhvillohet ndërmjet Ekrem Hysenit të LDK-së me 44.20 për qind të votave dhe Shpejtim Bulliqit të LVV-së me 44.16 për qind të votave.
Në Komunën e Gllogovcit gara është ndërmjet Ramiz Lladrovcit të PDK-së me 45.50 për qind të votave dhe Driton Ajazit nga Demokratët për Drenasin me 30.50 për qind të votave.

Komuna e Kaçanikut garën e zhvillon ndërmjet Besim Ilazit nga Partia Demokratike e Kosovës me 44.67 për qind të votave dhe Jeton Rakës nga LVV-ja me 33.36 për qind të votave.

Dragashi në balotazh ka Bexhet Xheladinin nga LDK-ja që mori 35.69 për qind të votave dhe Shaban Shabanin nga PDK-ja që mblodhi 32.56 për qind të votave.
Në Kamenicë në balotazh shkojnë Qëndron Kastrati nga Partia Social Demokratike me 32.52 për qind të votave dhe Kadri Rahimaj nga LVV-ja me 31.01 për qind të votave.

Burim Berisha i LDK-së me 49.72 për qind të votave dhe Enver Bajçinca nga LVV-ja me 25.58 për qind të votave, garojnë për udhëheqjen e Fushë Kosovës.
Në Istog në balotazh janë Ilir Ferati i LDK-së me 41.09 për qind të votave të fituara dhe Bekë Berisha nga AAK-ja me 24.49 për qind të votave.

Balotazhi në Komunën e Obiliqit zhvillohet ndërmjet Xhafer Gashit nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin me 48.12 për qind të votave dhe Halil Thaçit të LVV-së me 20.19 për qind të votave.

Në Klinë garojnë Zenun Elezaj nga AAK-ja me 43.33 për qind të votave dhe Esat Raci nga PDK-ja me 27.42 për qind të votave.
Për kreun e Rahovecit gara zhvillohet ndërmjet Smajl Latifi i AAK-së me 47.18 për qind të votave dhe Visar Korenica i LVV-së me 24.84 për qind të votave.

Gara në Malishevë zhvillohet ndërmjet Ekrem Kastratit nga Nisma Socialdemokrate me 34.08 për qind të votave dhe Isni Kilajt të PDK-së me 28.82 për qind të votave.

Në Viti në balotazh janë Sokol Haliti i LDK-së me 41.30 për qind të votave dhe Arsim Ademi i LVV-së me 34.50 për qind të votave.
Komuna e Junikut ka kandidatë për kryetar Agron Kuçin nga AAK-ja me 45.19 për qind të votave dhe Ruzhdi Shehun e LDK-së me 42.01 për qind të votave.

Në Vushtrri në balotazh janë Ferit Idrizi i PDK-së me 34.81 për qind, dhe Xhafer Tahiri i LDK-së me 33.82 për qind të votave.
Në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu i VV-së me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i PDK-së me 44.23 për qind të votave.

Gara e balotazhit në Mamushë zhvillohet në mes Abdulhadi Krasniqit nga Kosova Demokratik Turk Partisi me 48.92 për qind të votave dhe Arif Butuqit nga Kosova Adalet Turk Partisi me 36.95 për qind të votave.

Kllokoti zhvillon rundin e balotazhit ndërmjet Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 për qind të votave dhe Strahinja Spasiq nga Gi Srpska Narodna Sloga me 36.33 për qind të votave.

Kush fitoi në rundin e parë?
Rundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale u mbajt më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Në këtë rund, nga 38 komuna sa janë në Kosovë, 17 zgjodhën krerët e rinj.

Nga partitë shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës më 17 tetor fitoi më së shumti komuna, gjithsej katër: Mitrovicë e Jugut (Bedri Hamza), Ferizaj (Agim Aliu), Skenderaj (Fadil Nura) dhe Han i Elezit (Mehmet Ballazi).

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar dy komuna: Pejë (Gazmend Muhaxheri) dhe Lipjan (Imri Ahmeti). Numër të njëjtë të komunave ka fituar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: Deçan (Bashkim Ramosaj) dhe Suharekë (Bali Muharremaj).

Ndërkaq, Lista Serbe ka fituar në nëntë komuna: Mitrovicë e Veriut (Milan Radojeviq), Leposaviq (Zoran Todiq), Zubin Potok (Sërxhan Vuloviq), Zveçan (Dragisha Miloviq), Graçanicë (Liljana Shubariq), Novobërdë (Sasha Millosheviq), Shtërpcë (Dalibor Jevtiq), Ranillug (Katarina Ristiq) dhe Partesh (Dragan Petkoviq).

Sa i përket kuvendeve komunale, LDK-ja mori më së shumti vota (170,134), pasuar nga LVV-ja (168,084), PDK-ja (161,645), AAK-ja (90,863) dhe Lista Serbe (53,342).

Rundi i parë i zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe nga ekipi monitorues i Bashkimit Evropian u tha se u mbajt i qetë dhe pa incidente.

Mamusha me daljen më të lartë në zgjedhje

RFE/RL

Deri në orën 19, përkatësisht deri në mbylljen e vendvotimeve, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë kanë votuar rreth 38 për qind të votuesve.

Sot më 14 nëntor qytetarët e Kosovës votuan për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 19:00 kanë votuar rreth 38 për qind e votuesve.

Komuna me më së shumti votues deri më tani është Mamusha me një dalje prej rreth 60 për qind.

Ndërsa komunat tjera me dalje më të madhe janë Juniku dhe Kllokoti me nga 53 për qind.

Komunat me dalje më të ulët të votuesve janë Dragashi dhe Klina me 29 për qind.

Sipas KQZ-së, të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.

Vendvotimet për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale do të mbyllen në ora 19:00.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar përmes postës 1,571 pako të supozuara me fletëvotime nga votuesit që jetojnë jashtë Kosovës.

Sipas kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deri në këtë kohë nuk ka pasur incidente të rënda gjatë procesit zgjedhor.

“Nuk kemi pasur ndonjë parregullsi që do ta cenonte seriozisht procesin e votimit”, tha ai.

Komunat në të cilat po zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve lokale janë: Gjakova, Gllogovi, Gjilani, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Kamenica, Obiliqi, Rahoveci, Podujeva, Prishtina, Prizreni, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.

Rundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale u mbajt më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Në këtë rund, nga 38 komuna sa janë në Kosovë, 17 zgjodhën krerët e rinj.

Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje përballet në 12 komuna në rundin e balotazhit.

Lidhja Demokratike e Kosovës në rundin e dytë garon në nëntë komuna.

Partia Demokratike e Kosovës në tetë komuna.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garon në pesë komuna.

Nisma Socialdemokrate dhe Partia Socialdemokrate zhvillojnë gara në nga një komunë, ndërkaq, në komunën e banuar me shumicë serbe, Kllokot, në garë do të jenë Lista Serbe dhe GI SNS.

Kosovë, inaugurohet për herë të parë rrjeti 5G

Lipjan

Është inauguruar për herë të parë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor shtrirja e gjeneratës së pestë të teknologjisë së rrjeteve celulare pa tela, 5G, me emër “Qendra e Teknologjisë 5G – Testbed”, raporton Anadolu Agency (AA).

Qendra e Teknologjisë 5G – Testbed u përurua në kuadër të Kolegjit UBT, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave vendore dhe të huaja.

Kjo qendër, do të jetë një qendër kërkimi e cila lidh industrinë me teknologjinë e fundit, e krijuar si një mjedis unik testimi që bën të mundur hulumtimin e teknologjive të reja 5G dhe testimin e aplikacioneve të reja.

Drejtori i UBT-së, Edmond Hajrizi, tha se ky projekt është investim rreth 50-milionë-eurosh me ndihmë të organizatave të huaja, ndërsa thotë se shpreson se me të do të krijohen vende të reja të punës, si dhe do të përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve kosovarë.

Me këtë investim dhe teknologji ai thotë se Kosova nuk ka nevojë të ketë “ndjenjë inferioriteti” në relacion me zhvillimet e fundit teknologjike në rajon dhe botë.

“E kam parë që në Mbretërinë e Bashkuar qeveria ka dhënë mbështetje që të implementohet rrjeti 5G, po ashtu edhe në Gjermani e në Finlandë ku tashmë ka filluar edhe implementimi i rrjetit 6G, pra ata kanë vazhduar edhe me të ardhmen, dhe ne thamë që nuk mund të presim ngase transformimi po vazhdon dhe ne jemi pjesë e tij dhe në dy apo tre vitet e ardhshme do të jemi edhe më afër qyteteve të mençura (smart cities), veturave të mençura, spitaleve të mençura. Dhe, duke qenë se në universitetin tonë ka shumë qendra të inovacionit të teknologjisë, programe studimi e të ngjashme, duhej të reagonim për ta bërë këtë hap”, tha Hajrizi.

Drejtori i kabinetit të Kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipi, tha se Kosova ende është në një fazë tranzicioni të teknologjisë. Ai theksoi se kosovarët duhet të fillojnë të besojnë se janë më të mirët në teknologji, së paku sa i përket rajonit.

“Inovacioni është rruga e vetme që duhet të ndjekim. Dhe COVID-19 na ka treguar se teknologjia dhe përdorimi i internetit janë absolutisht një nevojë. Por, pritjet e njerëzve tani kanë ndryshuar dhe fëmijët tanë presin të kenë internet më të shpejtë, por fatkeqësisht ne jemi në një gjendje tranzicioni dhe kemi nevojë t’ua mundësojmë studentëve të gjitha informacionet dhe kapacitete të mjaftueshme për zhvillim”, thotë Dalipi.

Rrjeti 5G është standardi i teknologjisë së gjeneratës së pestë i rrjeteve celulare me bandë të gjerë, i cili filloi së zbatuari në vitin 2019 dhe pasardhësi i rrjeteve 4G i cili ofron lidhje me shumicën e telefonave celularë aktualë. Avantazhi kryesor i rrjeteve të reja sikurse 5G është se do të kenë një gjerësi më të madhe, duke dhënë shpejtësi më të larta shkarkimi.

Pianistja e mirënjohur Lule Elezi më 15 nëntor me koncert në Vjenë, ku do të përurohet edhe albumi i saj me vepra të Beethoven dhe Chopin

Voal.ch – Pianistja kosovare Lule Elezi më 15 nëntor do të ngjitet në skenën e “Palais Hanse” në Vjenë të Austrisë dhe përpara spektatorëve vjeneze ajo do të luaj veprat e Chopin, Rauf Dhomit dhe Ludwig van Beethoven.

Organizatorët e këtij koncerti, që mbahet nën patronazhin e Shoqatës Ndërkombëtare të Chopin në Vjenë, kanë njoftuar se në kuadër të këtij koncerti, do të bëhet edhe promovimi i albumit të pianistes Lule Elezi.

Albumi është incizuar nga “ Austrian Gramophone” në “ Mozarthaus” në Vjenë.

Në këtë album janë incizuar vepra të njohura nga opusi i dy gjenive, Ludwig van Beethoven dhe Frédéric Chopin”.

Pas Luftës në Kosovë, Pianistja Lule Elezi dha koncertin e saj të parë solistik jashtë pikërisht në Vjenë. Pas koncertit ajo tha: “Është hera e parë që e interpretoj këtë pjesë të plotë”.  U duk diçka e pakuptueshme për audiencën. Por Lule Elezi i sqaroi pas pak: “Në Universitet në atë kohë pas luftës nuk kishte asnjë piano që t’i kishte të gjitha tastet në rregull”. Kështu ajo e dëgjoi për herë të parë të plotë performancën e saj në Vjenë”.

Në të njëjtën kohë ajo është Profesoreshë e pianos në Universitetin e Prishtinës; ka një Master nga Akademia e muzikës në Sarajevë me pedagogen ruse Prof. Swetlana Chlaidze dhe ka dhënë koncerte solistike ndërkombëtare  në: New York, Saint Petersburg, Tokyo, Kinë, Berlin, Austri, Francë, Bullgari, Luksemburg, Hamburg, Potsdam, Frankfurt, Royal College of Music in Stockholm etj…

Përfshirë edhe paraqitjet në Festivalin Ndërkombëtar të Chopin në Gaming dhe koncerte solistike orkestrale me “Orkestrën Simfonike” në Tiranë dhe Filharmonine e Kosoves.

Albumi i Lule Elezit  do të prezantohet pas koncertit të 15 nëntorit në një pritje nga ambasadori i Kosovës në Austri./EB

 

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dekoroi Bekim Kastratin, gazetarin e Bota Sot dhe Besim Dajakun, truprojën e Rugovës me urdhrin “Hasan Prishtina”

Në foto: Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani me dy vajzat, Vesën, Erën dhe vëllain e Bekim Kastratit, gazetarit të Bota Sot vrarë më 21 nëntor 2001.
Në njëzetvjetorin e vrasjes, Presidentja Osmani dekoroi me urdhrin “Hasan Prishtina”, Bekim Kastratin e Besim Dajakun për kontributin dhe veprimtarinë atdhetare.
Motivacioni i dhënies të këtij urdhëri është: “Njëri me kontribut në fushën e lirisë së fjalës e tjetri për mbrojtjen e institucioneve të vendit janë dëshmi e kohës dhe njëherësh ftesë për vënien e drejtësisë në vend. Ata do të pushojnë të qetë kur drejtësia të marrë një epilog, sepse janë kontribuues për lirinë dhe demokracinë në vend”, është shprehur Presidentja Osmani në ceremoninë e dekorimit.
Familjarët e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut falënderuan Presidenten Osmani për kujdesin e treguar ndaj figurave, të cilët kontribuan për shtetin e Kosovës.”
Bekim Kastrati, gazetar i Bota Sot, Besim Dajaku, truprojë e Rugovës, të dy ish ushtarë të UÇK-së u vranë më 19 tetor 2001, ku u plagos edhe veprimtari i LDK-së Gani Geci.  Bekimi ishte 30 vjeçar dhe la dy vajza, Vesën një vjeçare, ndërsa Era nuk kishte lindur ende, ndërsa Besimi 32 vjeçar.
Vrasja e dyfishtë ka mbetur e pazbardhur, sikur edhe vrasjet e tre gazetarëve të tjerë Enver Maloku, shefi i QIK-u, Xhemail Mustafa, këshilltar i Rugovës dhe Bardhyl Ajeti.
Në shtator të një viti më parë, Gani Geci është pyetur nga Specialja e Hagës. Ai ka thënë se jam pyetur dhe përgjigjur me hollesi për 20 orë rresht për atë ngjarje, ku ai vetë mbeti i plagosur.
Gani Geci përmend Komunikatën 59, e cila konsiderohet e rrezikëshme dhe përçarëse.
Në disa  intervista në shtypin e Kosovës i jati i Bekim Kastratit, z.Hajriz Kastrati ka treguar se i biri i tij kërcënohej për ato që shkruante, duke shprehur zhgënjimin për drejtësinë./3.11.2021
Familjarët e Besim Dajakut
Bekim Kastrati (1971-2001)  kur punonte tek Bota Sot
Besim Dajaku (1969-2001)
Nëna e Besim Dajakut
Familjarët e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut tek Presidentja e Kosovës
Vëllezërit majtas i Basim Dajakut djathtas i Bekim Kastratit
Dekorata Hasan Prishtina

FSK pritet të shkojë me mision në Poloni

Shefi për Komunikim Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, Sefer Isufi, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës do të dërgojë në Poloni një kontigjent me pjesëtarë të saj për një mision.

Ai ka deklaruar se janë duke punuar për të shikuar pjesëmarrjen edhe në misione të tjera.

“Pas përmbylljes së misionit të parë jashtë vendit, paralelisht për një periudhë kohore jemi në proces të krijimit të relatave dhe marrëveshjes për dërgimin e kontigjentit të ri me ushtarë në misione jashtë vendit, në Poloni, në kuadër të komandës amerikane për Evropë”, ka thënë Isufi në Info Magazine.

“Por jemi në proces edhe të analizës dhe vlerësimit edhe për misone tjera jashtë vendit”, shtoi ai.

Zyrtarja e lartë amerikane në Prishtinë, takon kryeministrin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Prishtinë, zyrtaren e lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan, Molly Montogomery, shkruan Gazeta Express.

Zëvendës ndihmësja e sekretarit të Shtetit, Molly Montgomery në këtë takim ka theksuar marrëdhënien ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën.

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo ka falënderuar kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se kjo ndihmë ishte obligim humanitar i Kosovës, duke shtuar se Kosova dëshiron t’i qëndrojë në krah ShBA-ve, si aleat trategjik.

Ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Po ashtu e njoftoi për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë.

Siç njofton zyra për media e kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohen për vlerësimin e Presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke.

Gjithashtu, u bisedua për situatën e mirë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe administrimin e rreth 1.6 milionë dozave.

Kryeministri Kurti ka falendëruar ShBA-në për ndihmën në procesin e sigurimit të vaksinave kundër Covid-19.

Duke ritheksuar aleancën e palëkundur me ShBA-në, kryeministri shprehu përkushtimin e Qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e edukimit, agrikulturës dhe investimeve.

Edita Tahiri: Djali i George Soros të shpallet non grata! Ndalni edhe Edi Ramën

Ish-kryenegociatorja e bisedimeve Kosovë-Serbi, Edita Tahiri ka bërë një deklaratë të fortë. 

Ajo kërkon që Kosova të shpallë non grata djalin e manjatit amerikan, George Soros.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri shkruan se Alex Soros ka qenë dy ditë më parë në Prishtinë, ndërsa sot Edi Rama ndodhet në Beograd, duke theksuar se “po ndodhin lojëra të rrezikshme në rajonin e Ballkanit”. 

Sipas saj, Alex Soros, sikurse edhe George Soros, punuan hapur për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Postimi
Edi Rama ne Beograd, djali i Sorosit pardje ne Prishtine….Lojera te rrezikshme. A ka kush ta ndal Ramen dhe a ka kush ta shpall ‘persona non grata’ djalin e Sorosit qe hapur punoi per ‘shkembimin e territoreve’

Të gjitha të dhënat: LDK-ja partia e parë në zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka certifikuar rezultatet për kuvendet komunale, të zgjedhjeve të 17 tetorit, raporton Express

Sipas këtyre rezultateve, Lidhja Demokratike ka dalë partia më e votuar në vend. Pas LDK-së renditët Lëvizja Vetëvendosje, e në vendin e tretë Partia Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet e 17 tetorit kanë ndryshuar renditjen që kishin partitë politike në ato nacionale.

Partia më e votuar ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës, me 170 mijë e 134 vota. Pas saj renditet Lëvizja Vetëvendosje me 168 mijë e 84 vota.

Partia Demokratike e Kosovës është renditur e treta, me 161 mijë e 645 vota, derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbetur e katërta, me 90 mijë e 863 vota.

Ndërkaq sa iu përket kuvendeve komunale, LDK dhe PDK kanë siguruar nga 206 asamblistë në nivel vendi.

LVV këtu renditet e treta, duke siguruar 194 ulëse, ndërkaq AAK 121.

Ndryshe, në 17 komuna është vendosur fituesi në raundin e parë, ndërkaq 21 të tjera do të garojnë në raundin e dytë në balotazh, më 14 nëntor./GazetaExpress/

Ish-komandanti i FSK-së: Vuçiq dhe Vulin po rekrutojnë mercenarë rusë për t’i sjellë në veri të Kosovës

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, thotë se prezenca ruse në veri të Kosovës është e përditshme.

Kastrati deklaroi se ka informacione se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, janë duke rekrutuar mercenarë rusë për t’i sjellur në veri të Kosovës.

“Prezenca ruse në Ballkan është shumë e qartë, ne jemi shumë të vetëdijshëm që në veriun e Mitrovicës prezenca e njerëzve rusë nga Rusia dhe Serbia dhe kjo është e përditshme. Qëllimi i Rusisë dhe ‘Republika Srpska”’është që të jetë prezente këtu [në veri] nëpërmjet tensioneve të ndryshme – e shohim edhe situatën në Bosnje ku kryetari i kësaj republike, Milorad Dodik, ka paralajmëruar se do të ngris forcat e veta ushtarake dhe policore për mundësinë e shkëputjes nga federata boshnjake dhe kjo sipas meje do të ishte një zinxhir edhe tek veriu i Kosovës”.

“Sipas disa informacioneve që unë i kam me dijeninë e Vuçiqit dhe Vulinit janë duke rekrutuar mercenarë rusë për t’i sjellë në veri të Kosovës dhe në krye të këtij grupi është gjenerali Dikoviq – ku sipas detyrave që ai i ka, nëse ndodhë një destabilizim në Bosnje automatikisht njësoj do të fillonte edhe në veri të Kosovës dhe qëllimi final i Serbisë është që ta bëjë “Serbinë e Madhe”, deklaroi Kastrati për Klan Kosova.

Ish-komandanti mes tjerash tha se Qeveria duhet të ketë prioritet FSK-në si dhe mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe qytetarëve.

Arben Gashi: Grenell na tha që ta rrëzojmë Kurtin për 7 ditë

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvend, Arben Gashi, ka treguar se ish i Dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, u kishte dhënë LDK-së 7 ditë kohë që ta rrëzojnë qeverinë Kurti 1.

Ai tregon se ka pasur mesazh të qartë nga Grenell drejtuar LDK-së për këtë çështje dhe se sa herë kalonin ditët pa ndodhur gjë, presioni rritej.

“Ne kemi pasur në mënyrë të saktë dhe të qartë të shkruar se kemi 7 ditë për të rrëzuar qeverinë. Dhe cdo ditë ka ardhur mesazh, 7, 6 , 5 nuk ka asgjë të re dhe mezi i kemi nxjerrë tri ditë të reja. E ka thënë vetë ambasadori amerikan se ata kanë bërë presion për ta rrëzuar”, thotë Gashi në Kanal 10.

Ai tutje shton se qasja e Qeverisë Kurti është arrogante ndaj opozitës. Ai thotë se sa herë që dalin me propozime në Kuvend, marrin akuza nga pozita por që thotë se sjellje të tilla të dërgojnë drejt rënies së besimit nga populli

“Tashmë ne ke kemi marrë çmimin për atë punë., e kemi paguar. I takon të shkuarës. Kthehemi në ditët e sotme. Zoti Kurti ka një qeveri me një rezultat të jashtëzakonshëm si pasojë e atyre që ndodhën. Ne kemi marrë mësimin tonë. Mendoj se qasje e tyre ndaj opozitës në Kuvend është agresive. Sa herë dalim me ndonjë propozim ata na thonë se juve ju ka treguar populli ku e keni vendin. Po në rregull ne kemi këtë rezultat prej 13%, por 13% e popullit janë me në. 50% i kanë fituar ata por 50% është në anën tjetër. Por mos të harrojmë se me këso sjellje edhe ne kemi rënë dhe besoj edhe këta”, përfundon ai.

MJEKU QË MBI GJITHÇKA KA VËNË HUMANIZMIN – Nga Iliriana Pylla

– Tryezë Shkencore organizuar nga Shoqata e Intelektualëve ,,Jakova”

Salla Solemne e Pallatit të kulturës ,,Asim Vokshi në Gjakovë u mbush plot.Dhe s,kishte si të ndodhte ndryshe sepse personazh kryesor do të ishte Dr.Ali Iljazi ,e kur ai flet normalisht vëmendja dhe interesimi do të jenë në maksimum.Duke respektuar masat e pandemisë,auditori pati rastin të dëgjojë një ligjëratë tejet të qëlluar në Tryezën Tematike të titulluar,,Si ta kultivojmë qartësinë intelektuale”,referues I së cilës ishte Primarius Dr.Ali Iljazi e që ,si zakonisht ,këto ngjarje organizohen nga Shoqata e Intelektualëve ,,Jakova “në Gjakovë.

Prof .Dr .Ruzhdi Sefa I cili ishte në krye të këtij organizimi fare në fillim u shpreh :,,Studimi/ hulumtimi i UNDP i titulluar “PULSI PUBLIK” (2020) ofron të dhëna mbi qëndrimet e popullit të Kosovës ndaj votimit, të dhëna mbi ndikimin e COVID-19 në mirëqenien ekonomike, shëndetin fizik dhe shëndetin mendor të të anketuarve, si dhe për kënaqshmërinë e tyre me masat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës për ta parandaluar përhapjen e COVID-19.Sipas rezultateve të studimit problemet kyçe sipas hulumtimit janë: papunësia(30.9%) dhe varfëria (20.6%) ndërsa arsimi (2.4%) dhe Sjellje anti-sociale (bixhozi,prostitucioin, droga, alkoolizmi dhe trafikimi I qenieve njerëzore) vetëm 0.8%A nuk janë këto të dhëna tepër brengosse!?Ose mua nuk më ka rastis ose (që është më afër mendsh) nuk janë diskutuar asnjë prej këtyre e shumë materialeve hulumtuese e studimeve për ne, për popullin e për shtetin tonë.Dhe ajo që na imponohet vetëvetiu: Ku janë intelektualët dhe cili duhet të jetë roli i tyre! Intelektualët nuk janë të përqëndruar në të SOTMEN dhe nuk po punojnë dhe nuk po investojnë për të ardhmën! Jo!Për këtë sot në Tryezën tematike të Shoqatës kemi vënë temën: “SI TA KULTIVOJMË QARTËSINË INTELEKTUALE” ose”SI TË MBETEMI INTELEKTUAL” dhe “Cili duhet të jetë roli i intelektualit SOT e NESER e për cdo ditë!”?Më problem se keqbërja është pavullneti për ta sfiduar atë: këndvështrimi juaj për situatën në të cilën gjendemi sikur i adresohet jo vetëm politikës por edhe korpusit tonë intelektual, sidomos të atyre që janë më afër arsimit të lartë dhe Universitetit! A nuk na flet mjaftueshem gjendja në të cilën gjendet akademia jonë?, përfundoi Sefa duke lënë një pikëpyetje vërtetë të madhe .

 

Prim.dr.sci.med. Ali F. Iljazi lindi në Gjakovë në vitin 1949. Rrjedh nga një familje me ndjenja të  thella fetare e kombëtare. Nga kjo familje pati 20 hoxhallarë dhe shtatë myderrizë eminentë, që shërbyen në Medresenë e Madhe të Gjakovës afro 280 vite me radhë.Prim.dr.sc.med. Iljazi e kreu shkollën fillore dhe të mesme në vendlindje, me sukses të shkëlqyeshëm.Fakultetin e mjekësisë e kreu në Sarajevë në vitin 1973, po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Për suksesin e arritur gjatë studimeve u dekorua me “Shenjën e artë të Universitetit të Sarajevës”, si studenti më i suksesshëm dhe më i dalluar në këtë Universitet.Specializimin në lëmin e mjekësisë interne e kreu në Sarajevë, në vitin 1979, po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm dhe mirënjohje të veçantë. Në vitin 1987 mori titullin e primariusit. Ndërsa në vitin 1988, në Universitetin e Novi Sadit, mbrojti titullin e doktorit të shkencave të mjekësisë.Për herë të parë në ish-Jugosllavi dhe Evropë zbuloi testimin me karbakol si një test bronkoprovokues më sensitiv (Dose-response curve – PD100 Raë).Është i pari në Kosovë që aplikoi testimin bronkoprovokues me pluhura organike si dhe aplikimin e metodave më bashkëkohore të ekzaminimit të traktit respirator në Kosovë dhe ish-Jugosllavi.Deri më sot ka botuar 50 libra dhe mbi 80 punime shkencore si autor dhe bashkautor nga lëmi i mjekësisë, të botuara këto nëpër revista të ndryshme në ish-Jugosllavi, Ballkan, Gjermani, Indi dhe SHBA, si dhe të referuara në shumë kongrese e seminare të ndryshme.Ka realizuar me qindra emisione radiotelevizive si në: TV Besa, TV Opinioni, TV Era, TVSH, RTK, TV Syri, TV Ballkani, Radio Gjakova, Radio Besa, Radio Pendimi, Radio Kosova, si dhe qindra CD dhe DVD. Ka mbajtur ligjërata shkencore në të gjitha trojet shqiptare, në diasporë, si dhe në Universitetin Ballkanik në Shkup dhe Universitetin e Europes Juglindore( Shtul), Tetovë.Është paraqitur me tema shkencore në shumë kongrese në Kosovë, ish-Jugosllavi, Zvicër, Gjermani, Angli, Austri etj. Që nga viti 1988 ka marrë pjesë në mënyrë aktive në ligjërata dhe tribuna në të gjitha trevat shqiptare dhe diasporë.Dy vite me radhë ishte Dekani i parë dhe profesor ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë “Fehmi Agani”, në Gjakovë.Për punën e tij të palodhshme afro 50 vjeçare dhe kontributin në mjekësi, dr. Aliu u dekorua me Medaljen e meritave për popull, Mirënjohjen publike të qytetarit të merituar të Gjakovës, Mirënjohjen e universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Mirënjohjen e universitetit “Bedr” në Tiranë, Mirënjohjen e universitetit ballkanik në Shkup, Shtul etj. Po ashtu mori edhe çmimin “Hoxhë Hasan Tahsini” në Tiranë, për merita të veçanta humane në karrierën e tij të gjatë si mjek, për kontributin e vyer në zhvillimin e shkencave mjekësore dhe të shëndetësisë në Kosovë si dhe për rolin  e tij të rëndësishëm në edukimin e profesionistëve të rinj edhe në fushën e kulturës dhe etikës mjekësore. Pastaj, u dekorua me Shenjën e argjendtë dhe të artë të Kryqit të Kuq të Kosovës, si dhe një varg mirënjohjesh të tjera.Pas pensionimit, në vitin 2014, punon në poliklinikën private “European Clinic”, në Gjakovë si specialist internist-pulmolog.Mjeku human është baba I 6 fëmijëve 5 prej të cilëve janë mjekë.

 

Në ligjëratën e tij  Dr.Iljazi shpalosi të dhëna nga disa vende të ndryshme të botës e edhe të vendit tonë lidhur me të qenurit intelektual ,si trajtohet ai në vendin tonë,sa ata kontribuojnë në shoqëri ,etj.Ai ka theksuar se ne si njerëz shfrytëzojmë 1% ose më pak se 1% të kapacitetit tonë intelektual gjë që është tejet brengosëse.,,Kjo ndodh për shkak të sugjestioneve negative që ne kemi ,si nga ana e mësimdhënsesve ose prindërve,pastaj mediave ose edhe gjithë shoqërisë sonë.Na ka rënë shpesh të dëgjojmë,vjen djali në shtëpi e I thotë babai ,,hajt more se s,je për shkollë,hyjë në zanat”,dmth menjëherë ia bllokon neuronet.Prandaj ne duhet të jemi përgjegjës dhe të marrim iniciativa e të rrisim breza të shëndoshë .Posaqërisht intelektualët duhet të jenë tepër të vëmendshëm karshi fenomeneve negative e të reagojnë në situata kur kërkohet nga ata.Duhet të dinë edhe një gjë se janë vet intelektualët ata që e kanë përgjegjësinë kryesore në atë se cfarë drejtimi dfo të marrë shoqëria jonë vitet në vijim.Bile ne duhet ta kujtojmë e ta përsërisim shpesh thënien e Ismail Qemalit,,një fëmijë që fle rritet e një komb që fle vdes”,ka thënë pos tjerash Dr.Iljazi.Ai po ashtu ka prezantuar fakte e të dhëna nga shkencëtarë të njohur botërorë,studimet e të cilëve janë shumë aktuale dhe përkasin me realitetin në vendin tonë.

Të pranishnmit e mirëpritën fjalën e mjekut I cili ishte I hapur edhe për pyetje.Në këtë organizim floën edhe Prof,Dr Jahja Kokaj pastaj Behar Zenelaj,etj.Ndërkohë që shkrimet e tyre të lidhura me temën kishin dërguar edhe Zef Preka,Faton Kurti,Fahri Musliu e Fdil Maloku.

QARTËSIA INTELEKTUALE

Jetojmë në një kohë debatesh. Mendimet janë të shumënduarshme, ndërsa e vërteta është vetëm një. Megjithatë, themi, ´le të lulëzojnë mijëra lule´, të bindur se lulja më e bukur gjendet diku aty. Nga ana tjetër, e kemi për detyrë që të jemi sa më të qartë në dialog mes nesh, dhe kjo qartësi nënkupton qartësi nocionesh. Gjuha matematikore ka, për shembull, koncepte të përkufizuara mirë, përndryshe nuk do ta kishte vlerën që ka në jetën tonë. Me këtë dua të them se edhe ne njerëzit e debatit duhet t´i kemi parasysh disa parime themelore që i kërkon ´rendi i kuvendit´, bazuar në atë se kush flet dhe cila është çështja që diskutohet. Kjo nuk do të thotë se për politikë mund të flasin vetëm ata që kanë kryer fakultetin e shkencave politike, por kërkohet megjithatë që të ndiqen disa parime, ashtuqë debati të mos shndërrohet në një ´muhabet fushë.´   Në rastet kur ndonjë person e quan veten intelektual, kërkesat për plotësimin e disa kritereve janë më të mëdha, për arsye se njeriu intelektual është ai person që ka një përgatitje të veçantë në një fushë të caktuar, e mban përgjegjësi profesionale në një debat, duke shpjeguar me fakte se përse mendon ashtu si mendon. Sa më të qartë e më të logjikshëm të jemi, aq më lehtë do të na kuptojnë edhe të tjerët.  Përfundimisht, duhet theksuar se botëkuptimi për jetën dhe dukuritë e ndryshme, është parakusht për një qartësi sa më të madhe intelektuale. Nuk mund të mbajmë qëndrim mbi dukuri aq të ndërlikuara si çështjet mbi të cilat debatojmë ne përditë, pa i zbërthyer ato në pjesë më themelore, për të parë emëruesit e përbashkët që lidhin gjithçka në një tërësi të plotë. Nëse nuk e respektojmë një ndërlidhshmëri të tillë të dukurive, nuk do të kemi mendime të integruara mirë, dhe do ta humbim fillin e së vërtetës, duke u përpjekur të kapemi pas lloj-lloj argumentesh, të hedhur si hunj të shkulur në livadhin e mendësisë së mjegulluar.Kultivimi më i përshtatshëm (praktik) i qartësisë intelektuale duket si kjo që keni organizua ju të nderuar orgsnizatorët e kësaj Tryeze shkencore.Kjo metodë jep rezultate dhe do duhej të bëhet modë organizative dhe të kalojë në shprehi e përmes saj në kulturën e popullit. Atëherë flasim me gjuhen e argumentit dhe jo abstrakte . Respekt për temën e qëlluar dhe mbase është aq e rëndësishme sa që nëse nuk ka patur, do duhej të ishte Temë Disertacioni! Urime dhe mbarësi!

Zef Prenka

Stuttgart   27.Tetor‘21

Një tjetër vështrim ka dërguar edhe bashkëqytetari ynë Faton Kurti.

“SI TA KULTIVOJMË QARTËSINË INTELEKTUALE”

Të nderuar miq, bashkëpunëtorë dhe intelektualë të Gjakovës.Ndjehem i nderuar që ndonëse nuk jam prezent mes jush, të mund të vij tek ju përmes fjalës dhe mendimit që me shumë mirënjohje po lexohet në këtë çast.Besohet natyrshëm se një intelektual e sheh botën ndryshe. Në fakt ky besim nuk është krejt i gabuar. Dija dhe hapja e të gjitha shqisave ndaj dijes e bëjnë një intelektual një person që kundron nga shumë dritare misterin e botës që e rrethon.Intelektuali është ai që jep interpretime për fenomene të vecanta në disiplina të caktuara si arti, sociologjia, politika, psikologjia, letërsia, interpretime kaq të artikuluara dhe koherente që duke i pohuar në opinionin publik të arrijë tëinfluencojnë mendimin e njerëzve të zakonshëm por edhe tek komuniteti shkencor duke i bërë kështu të dyja bashkësitë më të vetëdijshme, më të emancipuara dhe më të avancuara.Roli i intelektualit në shoqëri i thënë ndryshe është ai i zgjimit të ndërgjegjes.Pa asnjë aftësi praktike në përmirësimin e një situate, ai ka detyrën teorike të“përmirësimit” të kulturës së qytetërimit, sidomos duke I nxitur personat të mendojnë në mënyrë korrekte dhe kritike mbi fenomenet kulturore apo shoqërore ekzistuese.Sic pohon edhe Sartri “Intelektuali është ai që ka vetëdijen e kundërshtisë, Brenda vetes dhe në shoqëri, mes kërkimit të vërtetës dhe ideologjisë dominuese me sistemin e tij të vlerave tradicionale“.Ky është konceptimi “Iluminist” I intelektualit, si ai që ka aftësinë të shpërndajë kulturë duke luftuar injorancën në shërbim të progresit të qytetërimit. Një lloj humanisti. Në këtë kuptim të ngushtë intelektuali mendohet si zëri kritik I shoqërisë që kontribuon në formimin e opinionit publik rreth një tematike apo problematike të caktuar. Pra, thënë ndryshe intelektuali është ai që jep orientimin e ndërgjegjes individuale në formimin e një ndërgjegje dhe opinioni të arsyeshëm dhe kritik- ose mësaktë, më afër të vërtetës dhe të drejtës- mbi një temë që prek aktualitetin njerëzor.I kuptuar kështu, intelektuali është regjisori I vërtetë I progresit. I kuptuar në këtë mënyrë atij mund ti jepet njohja kolektive dhe raporti I privilegjuar si ai që I jep formë jo vetëm kronikës kulturore të një kombi por edhe si ai që formon “vetëdijen kritike”.Duke kuptuar rëndësinë që ka apo më saktë duhe të ketë intelektuali në shoqërinëshqiptare në Kosovë dhe pasi unë jam një intelektual I përfshirë aktivisht në politikë:dy vite më parë kam artikuluar ftesën dhe apelin që intelektualët e Kosovës nuk mund të qëndrojnë më indiferentë ndaj politikës dhe zhvillimeve shoqërore.Ndaj subjekti politik që unë drejtoj Republikanët e Kosovës ka punuar dhe ofron një strategji të qartë në integrimin e intelektualëve brenda programit të tij politik.Intelektuali nuk mund të qëndrojë indiferent sidomos nëse arrin qartësinë e mendimit në peshoren e të vërtetës dhe vlerave.Të gjitha shoqëritë e zhvilluara, në renditjen e shtyllave kryesore të ndërtimit dhe sistemit të tyre demokratik një prej shtyllave më të forta dhe burimin e orientimit për politikat kombëtare I kanë të mbështetura tek intelektualët.Rezultatet jo vetëm ekonomike por edhe të ngritjes së standarteve në shumë fusha janë dëshmia se cdo komb që mbështet të tashmen dhe të ardhmen tek dija dhe ekspertiza e intelektualëve do të njohë lartësim dhe zhvillim shoqëror.Pa Intelektualët nuk ka Kosovë të së ardhmes.Kur shohim se si po degradon dita ditës politikëbërja në Kosovë dhe intelektualët janë lënë mënjanë, nuk mund të rrimë indiferentë.Ideja është që në të ardhmen, intelektualët të bëhen pjesë vendimmarrëse dhevendimtare në çështjet e mëdha politike dhe kombëtare.Partia, Republikanët e Kosovës, REK do t’ju shërbejë Intelektualëve si një platformë për implementimin e ideve dhe kapaciteteve të tyre krijuese në vendimmarrjet politike dhe ekzekutive në qeverisjen e Kosovës (dhe kjo nuk nënkupton patjetër anëtarësimin e tyre në këtë subjekt politik).Intelektualët, kanë përgjegjësi më shumë se askush për drejtimin që do të marrë shoqëria dhe vendi ynë.

Prof.Faton Kurti

Nga ana tjetër Profesori I njohur Fadil Maloku ,sociolog,I cili na ka dërguar një përmbledhje të shkurtë të një vështrimi që ka bërë ai mbi temën,,Intelektualizmi është dhunti, angazhim apo profesion”. Kujtoj se intelektuali i njëmendët, sikurse edhe në shoqëritë totalitare ashtu edhe në ato të tranzicionit, do të duhej të paktën ta ruaj edhe për një kohë këtë rol apo këtë dhunti specifike të udhërrëfyesit të ndërgjegjshëm për bashkëvendësit e vet. Sepse, vetëm duke e ushtruar këtë “profesion”, ai pa pardon dhe pa asnjë frikë do të duhej t’i emërojë ngjarjet, dukuritë, fenomenet e padyshim edhe sjelljet e ndryshme kërcënuese deviante që normohen në sistemet e reja vlerore të këtyre vendeve. Në fakt, intelektuali i vërtetë do të duhej në parim të ishte ashpërsisht i butë, pra prokuror i vet- vetes e avokat i interesave të komunitetit, ngaqë vetëm kështu ai mund ta fitojë një backgraund të tillë ndërgjegjësues në shoqëritë e tranzicionit. Ndryshe, ai nëse bie nën ndikimin e burokracive qofshin ato politike (sidomos!?), pastaj atyre kulturore e sociale, e humb peshën e karizmës për të qenë dhe për t’u mbajtur si i tillë jo vetëm në publik, por çka është më me rëndësi në histori. Por, kush është intelektuali i sotëm?Intelektuali nuk qan fortë kokën se çka mendojnë të tjerët, apo u pëlqen apo jo çfarë ai në të vërtetë thotë, kur mendon se ka çfarë të thotë. Po ashtu, intelektual i vërtetë nuk mund të shquhet ai i cili në mënyrë pasive mohon (ad hoc, edhe kur ka argumentimin dhe alibinë në favor të bindjes dhe gjykimit)çdo gjë, por ai i cili në mënyrë aktive provon t’i plasojë të vërtetat (pa marr parasysh pasojat dhe reperkusionet, të çfardo natyre çofshin ato!) e tij si domosdoshmëri dhe nevoja të kohës.

Fadil Maloku

Ndrësa gazetari I mirënjohur Fahri Musliu në pamundësi për të qenë prezent e ka dërguar një tjetër vështrim mbi këtë temë:,,Intelektualët dhe kriza shoqërore e shtetërore e Kosovës”. Në përkufizimin e intelektualit në rend të parë vjen liria dhe autonomia e personalitetit, që është i pavarur në mendim dhe nuk i përqafon urdhrat e paarsyetuara nga kushdo që vijnë (rebelimi kundër autoritetit është veti qenësore e intelektualit); kurse në veprimet e veta udhëhiqet sipas ndërgjegjes, e jo sipas normave heteronome (të varura). Kjo presupozon përgjegjësi për zbulimin e së vërtetës e mbrojtjen e lirisë, dhe guxim për t’iu kundërvënë dhunës dhe së keqes.Mendimi kritik, përfshirë edhe ndaj ideve të veta dhe ndaj botës, në të cilën jetojnë, janë dispozita të dalluara të intelektualëve – ata janë opozita shpirtërore e sistemit të fuqisë politike dhe ekonomike. Me fjalë tjera, interesi intelektual është zbulimi i së vërtetës që të dizajnohet bota, e jo që atë ta sundojë. Prandaj intelektuali “jeton për idenë” e “jo nga ideja”.Filozofi Zygmunt Bauman thotë: “Të jesh intelektual do të thotë të luftosh kundër botëkuptimit të njëanshëm ideologjik dogmatik të botës, në të kundërtën kur është i robëruar me një pikëpamje mbisunduese ndaj botës, intelektuali bëhet ideolog shtetëror në shërbim të sistemit të dhënë, e jo të përparimit të njeriut”Por a janë në të vërtetë intelektualë të gjithë njerëzit me arsimim superior (fakultet), Përgjigja është jo. Arsimimi dhe dija paraqesin kushtin, por jo edhe kushtin e mjaftueshëm, që dikush të bëhet intelektual, ashtu sikurse po ndodh tek ne në Kosovë, ku të gjithë ata që kanë të kryer fakultete e madje edhe me diploma (false) të blera, të pavlefshme.Intelektualët ekzistojnë mbi dy ide: lirinë dhe të vërtetën. E vërteta të shpeshtën sjell konfliktin midis intelektualëve dhe pushtetit aktual. Sundimtarët (në asnjë sistem dhe gati asnjë shtet) nuk e duan të vërtetën. Ata janë në frikë prej atyre që janë nën pushtetin dhe opinionin e tyre. Në masën në të cilën raporti ndërmjet sundimtarit dhe vasalit është i gërshetuar me frikën, intelektualët kanë guxim “të shërbehen me mendjen dhe guximin e vet”.Pra intelektuali duhet të ketë vesh për frymën e kohës, ngjarjet, krizën, mjerimin, rrënimin e moralit. Duhet të ketë integritet dhe kode të fuqishme etike e njerëzore. Prandaj edhe shtrohet pyetja nëse kemi sot në Kosovë intelektualë në kuptimin e plotë të fjalës dhe misionit? Përgjigja është ka por janë të paktë dhe zëri e ndikimi i tyre është minor ose i injoruar nga pushtetet por edhe shoqëria mediokre e tribal, në çfarë është shndërruar shoqëria kosovare. Ata nuk kanë mundësi të shfaqin qëndrimet e tyre nëpër gazeta se të tilla nuk ka në Kosovë por as nëpër portalet e kontaminuara . A mjafton vetëm një shoqatë e intelektualve çfarë është shoqata Jakova, pse të tilla nuk ka në qytetet siç janë Prizreni, Peja, Prishtina, Ferizaji, Gjilani, MitrovicaNë këtë rrafsh mund të konstatohet se shumica e intelektualëve kosovarë nuk janë (e s’kanë qenë) dashamirë të shpirtërores, veç materialistë praktikë. Nuk po luftojnë për të vërtetën, veç po u shërbejnë klaneve të ndryshme në pushtet dhe jashtë tij. Nuk po e shikojnë të mirën e përgjithshme, por atë vetjake (familjare, klanore, partiake). Në servilizmin e vet kanë lejuar që politikanët të jenë arbitër të së vërtetës dhe moralit. Në të kundërtën nuk na mbetet asgjë tjetër, pos që edhe publikisht të brohorisim: Avanti diletanti!

Pra si siç mund ta keni vërejtur shumë u tha për intelektualët në këtë Tryezë .A e meritojnë ata të trajtohen si një shtresë ose grup specifik shoqëror,ose a po angazhohen në atë masë që edhe trajtimin ta kenë të dinjitetshëm! Kam lexuar diku se sipas Aristotelit identifikoheshin si intelektuale ato virtyte që bënin pjesë në shkencë, art dhe punë mendore, e që i lejonin shpirtit të arrijë të vërtetën.Mendoj se Intelektualët nuk duhet t,ia lejojnë vetes të mbyllin gojën ,të mos e thonë të vërtetën,por të jenë në ballë të detyrës kur kërkohet të kritikohen fenomene e dukuri negative .

Iliriana Pylla

Gjakovë 1 Nëntor 2021

Fotografite jane realizuar nga Shkelzen Rexha

Nder dhe emocion! Kosova ka Operan e saj !

“Nje koncert historik si gur i çmuar ne themelin e Operes se Kosoves”, kështu shkruan sopranoja me famë botërore pas shfaqjes inauguruese të Operas së Kosovës.
Ndërsa Hajrulla Çeku, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, po në rrjetin social shkruante:  “Nder, krenari dhe emocion.”
Duke lajmëruar kështu ngjarjen e madhe në jetën kulturore të Kosovës. Tani Kosova ka Operan e saj.
Më poshtë në lajmin e bukur z.Çeku shkruan se “mbi 170 profesionistë të muzikës, talentë të dalë nga ky vend, Kosova, e që veprojnë me sukses këtu e në skena të ndryshme botërore,
u bënë bashkë në koncertin inaugurues të Operës së Kosovës.
Ky institucion i rëndësishëm e i sapothemeluar e nisi programin me vënien në skenë të operës “Goca e Kaçanikut ” nga kompozitori ynë i madh, Rauf Dhomi, nën dirigjimin e Edon Ramadanit.
Ky është fillim i mbarë për një rrugëtim të gjatë dhe shpresëdhënës të muzikës operistike në Kosovë. Sonte shteti ynë bëri një hap të ri e të rëndësishëm në aspektin institucional kulturor, e teksa për dekada me radhë janë formuar artistë të shkëlqyer të këtij arti të cilët kanë shkëlqyer nëpër teatrot operistikë anembanë botës, tash e tutje ata do ta kenë mundësinë të shfaqen edhe në vendin e tyre.
Ne përherë kemi patur dhe vazhdojmë të kemi muzikantë të talentuar e punëtorë, virtuozë të mediumit muzikor. Tash do të presim prej tyre të shpërthejnë në sallat e koncerteve me pasion dhe gëzim për të ndarë muzikën dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin me art dhe kulturë.
Ndërsa paralelisht punohet për funksionalizimin e vetë institucionit të Operës dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, kjo natë le të kujtojë se toka jonë është plot talent dhe dashuri.
Dua t’i falenderoj të gjithë ata që punuan me aq përkushtim që kjo natë të na sjellë kaq shumë pozitivitet e energji të mirë.”
Operas të Kosovës voal.ch i uron një rrugëtim sa më të bukur!

Ndërtimi i rrugëve, një debat i pafund në Kosovë

Kosovë: Rrugë që lidh Prishtinën me Gjilanin, e cila është afër liqenit të Badovcit. Fotografi nga arkivi.

Shkëlqim Hysenaj

Adem Lushajt, ekonomist nga Deçani, i duket e pakuptimtë që qeveria të nisë projekte të reja infrastrukturore siç është rruga Prizren – Tetovë pa u përfunduar rrugët magjistrale të nisura para më shumë se dhjetë vitesh.

Lushaj thotë se qytetarët e Klinës, Istogut, Pejës, Deçanit, Junikut dhe Gjakovës përballen me transport të vështirë për shkak të rrugëve të dëmtuara dhe mosfinalizimit të projekteve rrugore.

Mungesa e infrastrukturës rrugore moderne për këtë pjesë të Kosovës, sipas tij, shkakton humbje dhe nuk i lejon bizneset që të zhvillohen.

“Edhe pse i kanë filluar, kanë mbetur punimet në gjysmë që më të vërtetë janë duke e penguar zhvillimin e komunikacionit të lirë sidomos rruga Gjakovë – Klinë që është për keqardhje të kalohet andej. Njëjtë ka mbetur edhe rruga Prishtinë – Pejë”, shprehet Lushaj. Infrastruktura e dobët, sipas Lushajt, i ka lënë këto komuna pa investime.

“Investimet mund të ndikohen edhe nga këto rrugë sepse edhe më lehtë investitorët interesohen të investojnë në atë pjesë ku janë rrugët e mira, qarkullimi i mirë”, thotë Lushaj.

Rruga Prizren – Tetovë s’e pengon asnjë projekt të brendshëm

Në muajin shtator të këtij viti në një mbledhje të përbashkët, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nënshkruan disa marrëveshje në mesin e të cilave edhe marrëveshjen për ndërtimin e një rruge që lidhë Prizrenin me Tetovën.

Ndërtimi i kësaj rruge për të cilën tashmë janë bërë studimet e fizibilitetit pritet të përfundoj deri në fund të vitit 2024.

Kostoja e projektit që përfshinë edhe një tunel rreth 6 kilometra të gjatë, pritet të jetë rreth 150 milionë euro dhe synohet që të ndërtohet kryesisht me fonde nga jashtë, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Ne do të synojmë që të sigurojmë fonde për komplet projektin dhe nëse aplikojmë bashkë si dy shtete gjasat i kemi më të mëdha që të sigurojmë fonde por ne e kemi zhvilluar si projekt të rëndësisë së veçantë që edhe nëse nuk i sigurojmë komplet fondet, një pjesë të tyre do ta sigurojmë nga buxheti i shtetit”, tha Durimishi.

Durmishi thotë se nuk ka nevojë që të ngritet asnjë shqetësim në Kosovë pasi ndërtimi i rrugës Prizren – Tetovë nuk e stopon asnjë projekt tjetër infrastrukturor.

Ai thotë se qeveria është duke u marrë intensivisht me projektet e nisura më parë meqë sipas tij, modernizmi i infrastrukturës rrugore është prioritet i qeverisë.

“Ne nuk e kemi ndal asnjë projekt të rëndësishëm brenda territorit të Kosovës në mënyrë që ta realizojmë projektin Prizren-Tetovë. Ne jemi duke i vazhduar të gjitha kontratat; rrugën për Podujevë, rrugën për Mitrovicë, rrugë për Pejë, aty ne e kemi ndalë procesin e shpronësimit por se kemi ndalë ndërtimin e rrugës”, shprehet Durmishi.

Krahas hapjes së korridoreve të reja, profesor i menaxhimit strategjik Halim Gjergjizi thotë se Qeveria duhet të shtoj përpjekjet për të përfunduar projektet që janë lënë në gjysmë.

“Gjithsesi këto rrugë kanë filluar dhe duhet të ndërtohen dhe arsyet pse nuk janë finalizuar janë dobësitë tona menaxhuese. Duhet të insistohet që ato të finalizohen por jo tash të mbyllemi dhe të presim derisa të tjerët janë hapur, kanë hapur korridore, kanë ndërtuar rrugë moderne”, thotë Gjergjizi.

Gjergjizi bënë të ditur se projekti për rrugën Prizren – Tetovë ka ekzistuar para viteve 90’ por thotë se nuk është impelemtuar për shkak të rrethanave politike të kohës.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është kritik ndaj vendimeve të qeverisë. Ai mendon se fillimisht do të duhej të kryheshin projektet që integrojnë qytetarët dhe bizneset e komunës së Klinës, Istogut, Pejës, Deçanit, Junikut dhe Gjakovës me pjesët tjera të Kosovës.

Lekaj thotë se heqja dorë nga projekti i autostradës së Dukagjinit është prej gabimeve më të mëdha të kësaj qeverie.

“Të ndahen 150 milionë euro për rrugë që dërgon në Tetovë, krejt në rregull këto lidhje por mendoj se është një nguti derisa i kanë penguar projektet e tjera. Si përfundim i imi është që kjo Qeveri po dëshiron të ndikojë më tepër në këtë kohë në elektorat sesa në zhvillim të infrastrukturës apo ekonomisë”, thotë Lekaj.

Rruga Prizren – Tetovë e fuqizon ekonominë e të dyja vendeve

Por për dallim prej këtyre dyshimeve që ngrihen në Kosovë për ndikimin e këtij projekti në Maqedoni të Veriut mendojnë se rruga Prizren-Tetovë është e një rëndësie të madhe ekonomike.

Eksperti i ekonomisë, Arben Halili, thotë se përveç aspektit kombëtar, hapja e rrugës Prizren-Tetovë në aspektin ekonomik mes tjerash lehtëson qasjen në tregun shqiptar në Shqipëri.

“Do mundësojë shkëmbimin më të lehtë të mallrave dhe shërbimeve dhe njëkohësisht do të shërbejë si një rrugë transit që do të lidhë më tepër vende”, shprehet Halili.

Halili thotë se shpreson se qeveria e Maqedonisë së Veriut të ketë vullnet për realizimin e këtij projekti.

“Uroj që rruga Tetovë-Prizren, të mos ketë të njëjtin fat si ka rruga Shkup – Prishtinë nga pjesa e Maqedonisë së Veriut por duke marrë në konsideratë se kemi të bëjmë me në projekt vital, besoj se bashkëpunimi ndërqeveritar do të jetë në nivelin e duhur dhe gjithë kjo të jetë në interes të zhvillimit ekonomik të të dyja vendeve dhe pse jo të shërbejë edhe si rrugë transit edhe për vendet e rajonit”, thotë Halili.

Rruga Prizren – Tetovë sipas planifikimeve pritet të jetë e gjatë rreth 50 kilometra.

Ky do të jetë një projekt i përbashkët në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kosova me Maqedoninë e Veriut lidhjen kryesore rrugore e ka përmes autostratës “Arbën Xhaferi” që lidhë Prishtinën me Shkupin. Gjatësia e kësaj autostrade është rreth 60 kilometra dhe për ndërtimin e saj nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar më shumë se 600 milionë euro.

Shpallen rezultatet përfundimtare: 21 komuna në balotazh

Doruntina Baliu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) të enjten ka bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë.

Sipas këtyre rezultateve, 21 komuna do të garojnë në raundin e dytë në balotazh, ndërsa në 17 komuna është vendosur fituesi në raundin e parë.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, pas shpalljes së rezultateve bëri të ditur se ekziston mundësia e ankesës për këto rezultate brenda 24 orëve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP).

Një ndër çështjet që nxiti diskutim gjatë mbledhjes për shpalljen e rezultateve ishte rezultati për komunën e Hanit të Elezit.

Kjo për shkak se zgjedhjet në këtë komunë janë kontestuar nga kandidati i pavarur, Rufki Suma, i cili sipas rezultateve preliminare u mund nga kundërkandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Mehmet Ballazhi.

Suma ishte ankuar në PZAP duke kërkuar përsëritje të votimit për shkak të “presionit ndaj votuesve”.

PZAP-ja kishte marrë vendim për përsëritje të votimit në të gjithë Hanin e Elezit, mirëpo Gjykata Supreme kishte vendosur që kjo çështje të rivendoset në PZAP.

PZAP-ja në vendimin e dytë, të marrë më 28 tetor, hodhi poshtë kërkesën e Sumës për përsëritje të votimit. Aktualisht, lidhur me këtë vendim po rrjedh ende afati për ankesë në Gjykatën Supreme.

Kreshnik Radoniqi në argumentimin e tij për shpalljen e rezultateve përfundimtare edhe për Hanin e Elezit tha se sot po bëjnë shpalljen e rezultateve e jo certifikimin e tyre.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, rundi i dytë i zgjedhjeve ndërmjet dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme, mbahet ditën e diel, katër javë pas rundit të parë. Në këtë rast i bie që rundi i dytë do të mbahet më 14 nëntor.

Rezultatet përfundimtare për kryetarë komunash:

Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara të enjten, në Komunën e Deçanit i ka fituar zgjedhjet Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK).

Në Mitrovicën e Jugut zgjedhjet i fitoi Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK).

Në Lipjan, në rundin e parë fitoi kandidati Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK).

Në Suharekë, zgjedhjet për kryetar i fitoi Bali Muharremaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK).

Pejën e fitoi Gazmend Muhaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK).
Në Ferizaj, në rundin e parë fitoi Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK).

Ndërkaq ,në Hanin e Elezit fitues doli Mehmet Ballazhi nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK).

Partia serbe, Lista Serbe, ka fituar më së shumti komuna në këto zgjedhje lokale. Kjo parti ka arritur të fitojë në nëntë komuna, të cilat janë të banuara me shumicë serbe.

Pa balotazh, Lista Serbe ka fituar në Leposaviq me kandidatin Zoran Todiq, në Zubin Potok me Sërxhan Vuloviqin, në Zveçan me Dragisha Milloviqin, në Mitrovicë të Veriut me Milan Radojeviqin, në Graçanicë me Liljana Suboviqin, në Novobërdë me Sasha Millosheviqin, në Shtërpcë me Dalibor Jevtiqin, në Ranillug me Katarina Ristiqin dhe në Partesh me Dragan Petkoviqin.

Komunat që do të garojnë për rundin e dytë:

Në Komunën e Gllogovcit do të ketë balotazh mes Ramiz Lladrovcit të PDK-së me 45.50 për qind të votave dhe Driton Ajazit nga Demokratët për Drenasin me 30.50 për qind të votave.

Gjilani do të ketë balotazh ndërmjet Lutfi Hazirit nga LDK-ja që mori 43.51 për qind të votave, dhe Alban Hysenit nga LVV-ja që mori 44.71 për qind të votave.

Komuna e Gjakovës do të ketë balotazh ndërmjet Ardian Gjinit të AAK-së me 45.76 për qind të votave dhe Mimoza Kusari-Lilës së LVV-së me 37.20 për qind të votave.

Komuna e Kaçanikut do të ketë balotazh mes Besim Ilazit nga PDK-ja me 44.67 për qind të votave dhe Jeton Rakës nga LVV-ja me 33.36 për qind të votave.

Dragashi në balotazh do ta ketë Bexhet Xheladinin nga LDK-ja që mori 35.69 për qind të votave dhe Shaban Shabanin nga PDK-ja që mblodhi 32.56 për qind tëvotave.

Burim Berisha i LDK-së me 49.72 për qind të votavedhe Enver Bajçinca nga LVV-ja me 25.58 për qind të votave, do të jenë në balotazh për Fushë Kosovën.

Në Istog në balotazh do të jenë Ilir Ferati i LDK-së me 41.09 për qind të votave të fituara dhe Bekë Berisha nga AAK-ja me 24.49 për qind të votave.

Balotazhi në komunën e Obiliqit zhvillohet ndërmjet Xhafer Gashit nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin me 48.12 për qind të votave dhe Halil Thaçit të LVV-së me 20.19 për qind të votave.

Në komunën e Klinës në balotazh shkojnë Zenun Elezaj nga AAK-ja me 43.33 për qind të votave dhe Esat Raci nga PDK-ja me 27.42 për qind të votave.

Në Kamenicë në balotazh shkojnë Qëndron Kastrati nga PSD-ja me 32.52 për qind të votave dhe Kadri Rahimaj nga LVV-ja me 31.01 për qind të votave.

Në balotazh në Rahovec do të jenë Smajl Latifi i AAK-së me 47.18 për qind të votave dhe Visar Korenica i LVV-së me 24.84 për qind të votave.

Komuna e Podujevës shkon në balotazh ndërmjet Ekrem Hysenit të LDK-së me 44.20 për qind të votave dhe Shpejtim Bulliqit të LVV-së me 44.16 për qind të votave.

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, shkon në garën e balotazhit ndërmjet Arben Vitisë së LVV-së me 45.54 për qind të votave dhe Përparim Ramës së LDK-së me 29.17 për qind të votave.

Në Viti në balotazh shkojnë Sokol Haliti i LDK-së me 41.30 për qind të votave dhe Arsim Ademi i LVV-së me 34.50 për qind të votave.

Në Prizren në balotazh takohen Mytaher Haskuka i LVV-së me 40.41 për qind të votave dhe Shaqir Totaj nga PDK-ja me 31.36 për qind të votave.

Komuna e Junikut shkon në balotazh mes Agron Kuçit nga AAK-ja me 45.19 për qind të votave dhe Ruzhdi Shehut të LDK-së me 42.01 për qind të votave.

Komuna e Malishevës shkon në balotazh mes Ekrem Kastratit nga Nisma Socialdemokrate me 34.08 për qind të votave dhe Isni Kilajt të PDK-së me 28.82 për qind të votave.

Në Vushtrri në balotazh kanë shkuar Ferit Idrizi i PDK-së me 10 247 vota ose 34.81 për qind, dhe Xhafer Tahiri i LDK-së me 9 956 vota ose 33.82 për qind.

Në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu i VV-së me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i PDK-së me 44.23 për qind të votave.

Kllokoti shkon në balotazh mes Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 për qind të votave dhe Strahinja Spasiq nga Gi Srpska Narodna Sloga me 36.33 për qind të votave.

Komuna e Mamushës shkon në balotazh me Abdulhadi Krasniqi nga Kosova Demokratik Turk Partisi me 48.92 për qind të votave dhe Arif Butuqi nga Kosova Adalet Turk Partisi me 36.95 për qind të votave.

Të dyshuarit për lidhje me Hezbollahun nuk janë shtetas të Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla.

RFE/RL

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë tha se personat e sanksionuar për lidhje të dyshuara me Hezbollahun, nuk janë shtetas të Kosovës.

Një ditë më herët, Qeveria e Kosovës mori vendim që të vendosë sanksione ndaj shtatë individëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit.

Në disa media lokale dhe ndërkombëtare u raportua se këta persona janë qytetarë të Kosovës, por MPJD e mohoi këtë.

Sipas MPJD-së, masat e vendosura demonstrojnë angazhimin e Kosovës si pjesë aktive e aleancave ndërkombëtare kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Me qëllim të promovimit dhe mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave dhe lirive të njeriut, marrja e një vendimi të tillë do të kontribuonte në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleat i rëndësishëm, dhe partnerë të tjerë në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta, paqes dhe sigurisë”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Radion Evropa e Lirë.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur të enjten, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se sanksionet vendosen “konform Rezolutës 1373 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj shtatë individëve dhe një kompanie për lidhjet e tyre me organizatën terroriste Hezbollah dhe rolin e tyre në rrjetin financiar të saj në Gadishullin Arabik”.

Sanksionet konsistojnë me ngrirjen e aseteve, ndalimin e udhëtimit dhe ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve nga individët dhe entitetet në Kosovë.

Më 23 qershor të vitit 2020, Qeveria e Kosovës e ka shpallur organizatë terroriste krahun politik dhe atë ushtarak të Hezbollahut.

Hezbollah është një grup shiit i Libanit, i themeluar në vitet e 80-ta. Më herët është shpallur organizatë terroriste edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera perëndimore.

Hezbollah përkrah ideologjinë islamike shiite të Teheranit dhe e konsideron liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, si udhëzues politik dhe shpirtëror.

Presidentja e Kosovës publikon letrën e radhës falënderuese nga SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar senatorin James E. Risch nga Komiteti i Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë për një letër falënderuese për rolin e Kosovës gjatë luftës në Afganistan.

Në një postim në Twitter, Osmani ka thënë se Republika e Kosovës është një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara.

“Partneriteti ynë strategjik bazohet në vlera dhe angazhime të përbashkëta. Mezi pres të thellojmë bashkëpunimin ndërsa trajtojmë ndikimet keqdashëse në rajon. Së bashku më të fortë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Ndërkohë në letrën e Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, të nënshkruar nga senatori James E. Risch është falënderuar Kosova për partneritetin në 20 vitet e fundit në luftën kundër terrorizmit dhe në përpjekjet në dy muajt e fundit gjatë tërheqjes nga Afganistani.

“Më 11 shtator 2001, Amerika përjetoi sulmin më të keq në historinë tonë kombëtare. Që nga ai vit, Kosova ka rritur mbështetjen për SHBA-në derisa kemi ndjekur përgjegjësit për sulmin ndaj idealeve tona demokratike. Gjatë luftës në Afganistan, Kosova ka qenë një partner i vërtetë i SHBA-së dhe NATO-s. Partneriteti i Kosovës ishte qartë në pah gjatë evakuimit nga Kabuli gjatë muajve të fundit. Përgëzojmë dëshirën e vendit tuaj për të lejuar qindra refugjatë nga Afganistani për tu vendosur në Kampin Bondsteel ndërsa ata ishin duke u procesuar për pranim në SHBA”, është shkruar në letër duke shtuar se Kosova ishte ndihmuese në misionin në Afganistan dhe në operacionet e shpëtimit dhe tanimë qindra njerëz janë të sigurt si rezultat i veprimeve të tilla.

Më tej theksohet se kontributi dhe sakrifica e bërë nga populli i Kosovës në luftën kundër terrorizmit nuk do të harrohet.

“Edhe pse ne jemi ballafaquar me pengesa në këta muajt e kaluar, ne nuk duhet që kurrë të harrojmë përkushtimin tonë të përbashkët për demokracinë, të drejtat e njeriut, dhe siguria globale që ishin qëllimi i kësaj ndërmarrje. Më tej, besojmë se interesat tonë do të mbesin të përafërta në sigurinë e qytetarëve tanë. Përkushtimi ynë mbetet i fuqishëm dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me ju për të mbështetur këtë angazhim. Ne presim përforcimin e partneritetit strategjik në luftën kundër terrorizmit dhe në mbrojtjen e njerëzve tanë si dhe të vlerave tona të përbashkëta në ditët dhe muajt në vazhdim”, është thënë më tej në letër.

Ekipe mobile për vaksinim në shtatë qytete të Kosovës

Me qëllim të rritjes së nivelit të vaksinimit, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, përmes ekipeve mobile, ka nisur vaksinimin e qytetarëve kundër koronavirusit në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, më 22 tetor, 2021.

Në shtatë qytete të Kosovës, ekipet mobile do të bëjnë të enjten dhe të premten vaksinimin e qytetarëve kundër koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë tha se ekipet mobile do të jenë të vendosura në sheshet kryesore të qyteteve: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan.

Vaksinimi, ndërkohë, do të vazhdojë edhe në të gjitha qendrat e vaksinimit, thuhet në njoftim.

Vaksinat që jepen në Kosovë janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.

Në Kosovë, vaksinimi kundër koronavirusit ka nisur në fund të marsit.

Deri të enjten, mbi 717,000 qytetarë janë vaksinuar plotësisht.

Aktualisht, raste aktive me koronavirus në Kosovë janë mbi 400.

Apeli refuzon kërkesën e Thaçit, mbetet në paraburgim

Paneli i Gjykatës së Apelit në kuadër të Gjykatës Speciale ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruar nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçit kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake për mbajtjen e tij në paraburgim, shkruan Gazeta Express.

Sipas Apelit, mbrojtja e Thaçit ka dështuar të dëshmojë se pse vendimi paraprak ka qenë i paarsyeshëm për rreziqet nëse ai lirohet.

Në vendimin e apelit thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka pasur informacion të mjaftueshëm përpara tij në lidhje me kushtet e propozuara të lirimit për t’i mundësuar atij të marrë një vendim të informuar për zbutjen e rreziqeve të identifikuara.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dha dorëheqje dhe shkoi në Hagë, pasi iu konfirmua aktakuza për krime lufte, nga Dhomat e Specializuara. Bashkë me të, si udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u akuzuan edhe ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

Kosovë – Ndahen mjete financiare pёr mbështetjen e përfituesve nga skemat sociale dhe pensionale

Pensionistët do tё përfitojnë nga 100 euro shtesё mbi pensionin e rregullt dhe shtesёn aktuale
RFE/RL

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar propozimi i ministrit të Financave, Punёs dhe Transfereve, Hekuran Murati, për ndarjen e mjeteve financiare pёr mbështetjen e përfituesve nga skemat sociale dhe pensionale.

Me anё tё kёtij vendimi, përfituesit e skemave pensionale nё muajin nëntor do tё përfitojnë nga 100 euro shtesё mbi pensionin e rregullt dhe shtesёn aktuale. Ndërkaq, përfituesit e skemave sociale nё muajt nёntor dhe dhjetor do tё pёrfitojnё dyfishin e pagesës sё rregullt dhe shtesёs aktuale. Vlera për përfituesit e skemave sociale dhe pensionale arrin shumën e mbi 36 milionë eurove.

Ndarja e këtyre mjeteve është bërë në kuadër tё zbatimit tё masave të Pakos sё Ringjalljes Ekonomike.

Ministri Murati tha se me këto mjete shtesë, prej të cilave përfitojnë 330 mijё familje, do të zbuten vështirësitë ekonomike që kanë ato familje me rritjen e çmimeve që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit.

Ndahet nga jeta regjisorja Burbuqe Berisha

RFE/RL

Ka vdekur në moshën 51-vjeçare regjisorja Burbuqe Berisha, raportojnë mediat në Kosovë.

E lindur në Shkup, regjisorja Berisha studimet themelore dhe master i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve, dega Regji e Filmit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.

Autore e një numri të konsiderueshëm të filmave me metrazh të shkurtër dhe të gjatë si dhe dokumentarë, seriale televizive, shfaqje teatrore, Burbuqe Berisha është fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar.

Në vitin 2019 Berisha u shpall fituese e Çmimit Kombëtar për Kinematografi.

Disa nga realizimet e saj janë “Lexi në qytet” në 10 episode, “Ashensori”, “Kosova 9/11”, “Ëndrra”, “Nanë”, “Dimri i shpirtit”, “Bunari”, “Viti 2000” etj. Kurse, nga filmat e saj dokumentarë shquhen “Për Jusuf Gërvallën”, “Universiteti nëpër vite”, “Harmonika”, etj.

Për katër vjet me radhë ka punuar si drejtoreshë e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pastaj anëtare e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe kryetare e këshillit drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Së fundi ishte pro -dekane në Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB. Ka ligjëruar lëndët Film Dokumentar, Regji televizive, Regji për film, teatër dhe televizion.

Burbuqe Berisha ishte drejtoreshë artistike e festivalit “Prishtina Internacional Theater Festival”.

Në shumë festivale filmash ka qenë anëtare e jurive profesionale me karakter ndërkombëtar dhe është aktiviste e shumë kampanjave bamirëse.

Bashkimi Evropian: Kosova përparon ngadalë por me hapa të sigurt në përfaqësimin e grave

Prishtinë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se Kosova po përparon ngadalë por sigurt në aspektin e përfaqësimit të grave në pozita vendimmarrëse dhe publike, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, ku u bë lansimi i projektit “Përfshirja e grave në tryezën negociuese në Kosovë”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, ambasadori Szunyog tha se për fat të keq, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit fatkeqësisht “shumë pak gra kanë qenë kandidate për kryetare komune, ndërsa vetëm dy janë zgjedhur në këtë pozitë”.

“Kosova është duke përparuar ngadalë por me siguri në përfaqësimin e përgjithshëm të grave në procese vendimmarrëse dhe pozita publike. Ka gjithashtu një numër në rritje të grave në Qeveri dhe në Kuvend”, tha ambasadori Szunyog.

Ai tha se pjesëmarrja e grave në negociatat ndërkombëtare të Kosovës është diçka që ka munguar. Me përjashtim të ish-kryenegociatores në bisedimet Kosovë-Serbi, Edita Tahiri në mes të viteve 2011-2016, ai tha se shumë pak gra kanë marrë pjesë në ekipet negociuese.

Zëvendëskryeministrja kosovare Emilja Rexhepi, tha se tash e sa vjet është me rëndësi që në procesin negociues të përfshihen gratë sepse edhe sipas statistikave, 53 për qind e popullsisë janë të gjinisë femërore në Kosovës dhe është një diskriminim me ne gratë ngase nuk jemi të përfshira në pore të rëndësishme të shoqërisë kosovare.

“Kemi shumë gra aktive që mund të marrin pjesë në procesin negociator në mënyrën më profesionale. Unë e mbështes secilën grua që përfshihet në këtë proces, kështu që kam nder të veçantë që një numër i madh i organizatave joqeveritare punojnë për këtë çështje”, tha Rexhepi.

Projekti “Përfshirja e grave në tryezën negociuese në Kosovë” është bërë me anketimin e 211 grave, që përfshinte shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë dhe nga komuniteti rom, ashkali, egjiptian.

Ky projekt vë në pah se nga zgjedhjet e fundit parlamentare 44 gra janë bërë deputete, numri më i lartë nga të gjitha legjislaturat e mëparshme.

Më tej thuhet se 70 për qind e të anketuarve në gjuhën shqipe dhe 50 për qind e të anketuarve në gjuhën serbe kanë deklaruar se nuk e dinë fare se kush janë anëtarët e ekipit negociues në dialogun në Bruksel ndërsa 50 për qind e të anketuarve të të dy gjuhëve nuk e kanë ditur se a ka gra në ekipin negociator.

Ambasadori gjerman: Politizimi i sporteve nuk është kurrë ide e mirë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë të martën se politizimi i sporteve nuk është kurrë ide e mirë.

Duke komentuar vendimin e fundit të autoriteteve serbe, që t’ia pamundësojnë pjesëmarrjen ekipit të Kosovës në Kampionatin Ndërkombëtar të Boksit, që po zhvillohet në Beograd, Rohde ka thënë se normalizimi afatgjatë i raporteve dhe pajtimi i qëndrueshëm mes shoqërive fillon me shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike.

Ai ka bërë këtë reagim duke iu referuar deklaratës së njëjtë që ka dhënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

“Parandalimi i boksierëve nga pjesëmarrja në Kampionatin Ndërkombëtar të Boksit shkon në drejtim të kundërt. Fatkeqësisht ky është shembull i Ballkanit të mbyllur dhe jo të hapur”, ka thënë Rohdes, në një postim në rrjetin social, Twitter.

Kampionati ka nisur në Beograd më 24 tetor dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Albin Kurti, ka thënë të hënën se, vendimi i Serbisë për të mos lejuar pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Kampionatin Botëror të Boksit paraqet “shkelje të normave ndërkombëtare të sportit”.

“Serbia duhet ta tregojë forcën e saj në ringun e boksit, jo në kufi”, ka thënë Kurti në Twitter.

Më 26 tetor, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, ka paralajmëruar se, gjatë kësaj jave, Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.

Sipas tij, në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave serbe, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Kosova është dashur të përfaqësohet këtë vit në Kampionat nga tre boksierë: Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku dhe Patriot Behrami.

Kosovë, hapet “Java për të drejtat e viktimave të krimit”

Prishtinë

Është hapur në Prishtinë “Java për të drejtat e viktimave të krimit” me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit” nën organizimin e Kryeprokurorit të Shtetit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi në fjalën e tij para të pranishmëve të cilët ishin udhëheqës të institucioneve të larta në vend, prokurorë, gjykatës dhe përfaqësues të institucioneve, tha se Republika e Kosovës është prijëse në rajon sa i përket mbrojtjes së viktimave.

Ai tha se viktimat e krimit në Kosovë ngadalë por sigurt po i realizojnë të drejtat e tyre dhe po marrin trajtimin e duhur nga institucionet, megjithëkëtë, ai tha se janë të vetëdijshëm që ende duhet punë për të parandaluar abuzimet, dhunimet dhe keqtrajtimin ne viktimave të dhunës.

Lumezi tha se përkushtimi i Prokurorisë duhet të jetë në koordinim me institucionet ligjzbatuese. Ai tha se rrethanat e krijuara nga pandemia e COVID-19 krijuan vështirësi për institucionet ligjzbatuese, por, sipas tij, shërbimet për viktimat nuk kanë pushuar as në këtë periudhë.

“Gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1.584 raste të viktimave në total, prej tyre 1.396 ishin dhunë në familje. Ndërsa janë paraqitur edhe 445 kërkesa për urdhër mbrojtjeje dhe 36 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente”, tha Lumezi i cili u bëri thirrje prokurorëve dhe mbrojtësve të viktimave që t’i mbrojnë viktimat sa herë ata trokasin në dyert e tyre.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se duhet rritur efikasitetin në sundimin e ligjit për një shoqëri pa dhunë.

Osmani tha se statistikat e fundit rreth dhunës, sidomos ajo me bazë gjinore, janë të frikshme dhe nevojitet ndëshkim i kryerësve të veprave penale.

“Më 2019 dhe 2020 janë 9 gra që kanë pësuar me jetë nga dhuna e shkaktuar nga burrat. Deri në shtator të këtij viti janë edhe 3 gra të tjera viktima, teksa në polici deri në këtë periudhë janë raportuar mbi 1.500 raste të dhunës ndaj grave, dhunës mbi baza gjinore”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, një gjë është e padiskutueshme dhe e pakompromis në këtë aspekt, ajo që, mosndëshkueshmëria e krimit kërkon zero tolerancë. Ajo tha se nëse heshtet para padrejtësive, kjo gjë do të nxisë edhe më shumë ata që kryejnë vepra penale dhe do t’i dekurajojë ata që janë viktima.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila theksoi se në gjashtë muajt e fundit ka pasur 22 raste të viktimave të krimit, tha se do të angazhohet maksimalisht për mbrojtjen e viktimave nga kjo lloj dukurie.

Sipas ministres Haxhiu, viktimë e krimit mund të jetë kushdo megjithatë si ministre e drejtësisë është e shqetësuar me rritjen e numrit të viktimave gra dhe fëmijë.

Haxhiu tha se vetëm duke u angazhuar institucionalisht me bashkëpunim ndërinstitucional mund t’i nxisin qytetarët të raportojnë dhunën.

“Nuk mund të kemi asnjë sukses nëse funksionojmë të ndarë.Vetëm një hallkë institucionale të mos funksionojë, atëherë dështojmë t’i mbrojmë qytetarët tanë”, tha Haxhiu, duke theksuar se rastet më të rënda janë ato kur ndodhin për shkak të mosveprimeve institucionale.

Sesionet e javës për të drejtat e viktimave të krimit do të mbahen online nga data 26 deri më 29 tetor, ku do të diskutohen tema të ndryshme, si ”Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe politikave kundër dhunës në familje”; “Konfidencialiteti dhe ruajtja e privatësisë së viktimave të krimit”; “Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe politikave kundër trafikimit të njerëzve” dhe “Trajtimi i kryesve të dhunshëm me varësi nga droga, alkooli dhe me probleme të shëndetit mendor”.

Prishtinë, hapet edicioni i 12-të i festivalit të filmit të shkurtër “Ballkani Përtej Kufijve”

Në kinemanë “Armata” në Prishtinë është hapur edicioni i 12-të i festivalit të filmit të shkurtër “Ballkani Përtej Kufijve” (Balkan Byond Borders), që do të mbahet nga data 28 tetor deri më 31 tetor, raporton Anadolu Agency (AA).

Frymëzuar nga çështja e komunikimit që u sfidua përmes pandemisë, festivali sivjet do të shfaqë një Program Konkursi prej 33 filmash të shkurtër që përfaqësojnë kineastët e rinj ballkanikë.

Drejtoresha e këtij festivali, Vasiliki Maltasoglou në konferencën hapëse të këtij festivali i cili sivjet është me titull “Lëkura në (Ekran në) Lëkurë”, do të ketë filma me përmbajtje që trajtojnë temën e komunikimit.

“Këtë vit tema e cila trajtohet në filmat e shkurtër është lidhja apo komunikimi i cili u zbeh apo humbi gjatë këtyre dy viteve me përhapjen e pandemisë së COVID-19. Pra, programet e filmave do të flasin për lidhjet në familje, rrënjët tona, natyrën, me vetët tona”, tha Maltasoglou.

Kineastët pjesëmarrës do të kenë mundësinë të shpërblehen me çmimet: Çmimi më i mirë ‘Balkan Byond Borders’, Hyrja e Parë, Publiku dhe Përmendje, ku shuma totale e çmimeve shkon deri në 1.800 euro.

Vlerësimi i filmave të shkurtër do të bëhet nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga aktorja turke Burcu Biricik, Luana Bajrami, aktore/regjisore franceze nga Kosova dhe Drita Lolla, drejtoreshë e Festivalit të Filmit në Mal të Zi.

Ky festival ka për synim që të motivojë të rinjtë që të përdorin krijimtarinë e tyre, duke stereotipet e vazhdueshme për atë që është dhe çfarë nuk është “ballkanik”.

Festivali mbështetet nga ‘Creative Europe’ dhe Komuna e Prishtinës dhe bashkëpunon me një numër të madh të organizatave kulturore dhe rinore në rajon.

Festivali i filmit të shkurtër “Ballkani Përtej Kufijve” filloi edicionin e parë në Beograd më 2010 dhe nga atëherë është mbajtur në disa vende të Ballkanit si në Tiranë, Bukuresht, Sarajevë, Selanik e të tjerë.


Send this to a friend