VOAL

VOAL

Krasniqi: Marrëveshja Kosovë – Serbi pa njohje të ndërsjellë mund të çojë në status-quo të re

VOAL/Besim Abazi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha në një intervistë më Zërin e Amerikës se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes të përgjithshme me Serbinë e cila çon në njohjen e ndërsjellë. Ai tha se propozimi evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje pa njohje, nuk mund të jetë i pranueshëm sepse do të mund të krijonte një status-quo të re. Në intervistën me korrespondentin tonë, Besim Abazi, zoti Krasniqi tha se bllokadat aktuale në veriun e Kosovë janë vendosur para së gjithash për ta penguar procesin e bisedimeve Kosovë Serbi për një marrëveshje përfundimtare.

Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi, si e vlerësoni situatën aktuale në veriun e Kosovës?

Memli Krasniqi: Situata në pjesën veriore të Kosovës është jashtëzakonisht problematike, ka një përkeqësim të gjendjes sidomos pas vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale, të cilat janë të kontrolluara dhe orkestruara drejtpërdrejtë nga qarqet më të larta në Serbi, duke përfshirë edhe vet presidentin (Aleksandar) Vuçiç. Ka një tensionim të situatës dhe nga të gjitha informacionet që marrim këto ditë, shihet se nuk ka një zgjidhje të lehtë dhe nuk duket se mund të ketë një përmirësim dhe një kthim në normalitet shumë shpejt, kjo është shumë shqetësuese.

Zëri i Amerikës: Cila është sipas jush zgjidhja në këtë situatë?

Memli Krasniqi: Shikoni, problemi kryesor i kohëve të fundit në raport me Serbinë por edhe me gjithçka që ndërlidhet me dialogun është se ne po flasim për konsekuencat kur po ndodhin ato. Ne po merremi me konsekuencat dhe po harrojmë pastaj se si ka ardhur deri këtu dhe cilat janë burimet e këtyre problemeve. Këto barrikada por edhe problemet tjera që kanë ndodhur veçanërisht gjatë muajit nëntor, nuk do të ndodhnin sikur të kishte një vizion të qartë në qeverinë e Kosovës dhe te kryeministri (Albin) Kurti për rrugën përpara dhe për trajtimin e dialogut, para së gjithash duke marrë për bazë kërkesat dhe rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë, para së gjithash të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sikur ne në muajin tetor të kishim racionalitet në qeveri, sikur kryeministri Kurti të dëgjonte kërkesën amerikane për të shtyrë çështjen e tabelave të veturave për dhjetë muaj, do të kishim një zhvillim tjetër, nuk do të hynte në këto aventura të cilat kanë krijuar problem pas problemi. Andaj po, duhet të merremi me konsekuencat aktuale dhe duhet të shohim përpara për zgjidhjet që vlejnë dhe që kthejnë normalitetin e ruajnë sigurinë në veri, por nuk mund të mos e rikujtojmë burimin e këtyre problemeve dhe zinxhirin e gabimeve që kanë rezultuar nga papërgjegjësia e kryeministrit tonë.

Zëri i Amerikës: Por kryeministri megjithatë në fund i dëgjoi aleatët ndërkombëtarë dhe mori vendime sipas kërkesave të tyre. A nuk i plotësoi në fakt ato që duheshin plotësuar?

Memli Krasniqi: Po është e vërtetë edhe pse me vonesë dhe kjo vonesë pastaj na solli në situatë ku sot në veri nuk ka as institucione të Republikës së Kosovës, as integrim të komunitetit serb, nuk ka as zgjedhje lokale të cilat u shpallën dhe pastaj nga ana e qeverisë dhe presidencës u kërkua që të shtyhen, jo në përputhshmëri me Kushtetutën, nuk ka as targa të Republikës së Kosovës, krejt çfarë ka janë barrikadat. Kështu që është pozitive që më në fund është këndellur kryeministri i Kosovës dhe e ka parë që Kosova mund të ketë sukses vetëm në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, para së gjithash me Shtetet e Bashkuara, por konsekuencat janë këtu me ne dhe ne sot merremi me problemin e barrikadave, të cilat nuk kanë zgjidhje tjetër përveç se të hiqen, nuk mund të ketë dorëzim para këtyre barrikadave.

Zëri i Amerikës: Nga kush duhet të hiqen zoti Krasniqi?

Memli Krasniqi: E mira e të mirës do të ishte që ato të hiqen nga ata që i kanë vendosur dhe unë besoj se angazhimi ndërkombëtar në

Nëse barrikadat bëhen pjesë e normalitetit të ashtuquajtur në veri, Kosova do ta ketë shumë më të dobët pozicionin e vet negociues për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë…

këtë moment duhet të jetë i përqendruar aty. Por, gjithashtu ne duhet t’i themi gjërat ashtu siç janë, nuk mund të lejohet të kthehen në përditshmëri siç po ndodhë tash e më shumë se dhjetë ditë. Nëse barrikadat bëhen pjesë e normalitetit të ashtuquajtur në veri, Kosova jo vetëm që do ta ketë shumë më të dobët pozicionin e vet negociues për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, por njerëzit që jetojnë atje, siç po përballen tash e dhjetë ditë, do të përballen edhe në të ardhmen me mungesë totale të sigurisë dhe me një presion, në mënyrë të veçantë shqiptarët që jetojnë atje me presionin e largimit. Është e padrejtë, është e paarsyeshme që në fund të vitit 2022 e në fillim të vitit 2023, ne të kemi situata ku shqiptarët shpërngulen nga shtëpitë e tyre në veri të vendit.

Zëri i Amerikës: Po nëse nuk hiqen nga ata që i kanë vendosur, si duhet të veprohet?

Memli Krasniqi: Duhet të hiqen nga institucionet e Kosovës, ashtu siç i kemi hequr edhe në të kaluarën. Ka pasur dy tre raste gjatë këtyre viteve që janë vendosur barrikadat në veriun e vendit por i kemi hequr.

Zëri i Amerikës: Por KFOR-i ka kërkuar kohë për këtë?

Memli Krasniqi: Kohë kanë kërkuar dhe kohë ju kanë dhënë. Nuk mund t’ju japim kohë të përjetshme, sepse nëse kryeministri thotë kanë kërkuar pak kohë para një jave apo dhjetë ditëve, sa është kjo pak kohë, a është një javë apo një muaj? Unë e shoh shumë të rrezikshme nëse ne hyjmë në kohën e festave me barrikada të vendosura sepse realisht do bëhet një kohë e gjatë dhe pastaj do t’i kemi barrikadat si pjesë të përditshmërisë në veri?

Zëri i Amerikës: A nuk do të ishte e rrezikshme që të provohet me forcë të largohen ato nga institucionet e Kosovës?

Memli Krasniqi: Është rrezik në cilëndo formë, rrezik është edhe që janë vendosur e rrezik është edhe sikur të hiqen, por nëse ato nuk hiqen do të jetë një dorëzim absolut i qeverisë para barrikadave dhe bandave kriminale.

Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi, diplomatët perëndimor dhe posaçërisht ata amerikan, po ngulin këmbë, sidomos për shkak të kësaj situate, në fillimin më të shpejtë të bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Si duhet të veprojë Kosova tani?

Memli Krasniqi: Unë mendoj që barrikadat janë vendosur para së gjithash për ta penguar procesin e dialogut, do të thotë e shoh se ka një tërheqje edhe nga ana e presidentit të Serbisë prej procesit të bisedimeve. Ne gjatë gjithë kohës i kemi bërë ftesë dhe i kemi kërkuar kryeministrit që të jetë vërtetë serioz në qasjen e tij në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe në pjesëmarrjen në dialog, sepse realisht dialogu nuk ka alternativë më të mirë dhe arritja e marrëveshjes që do të duhej të rezultonte me njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi, duhet të jetë prioritet në këtë raport. Kemi parë që një vit e gjysmë ka humbur pa ndonjë progres, ka pasur një degradim të procesit të dialogut. Prej asaj që para disa vitesh kemi diskutuar për çështje të mëdha si njohja e ndërsjellë, anëtarësimi në OKB, por edhe mënyra e zgjidhjes së problemeve që kanë mbetur pa u finalizuar, në muajt e fundit një herë flasim për targa të veturave, një herë për dokumente të identifikimit, herë tjetër për çështjen e energjisë, por asnjëherë deri tash për ta zgjidhur përfundimisht konfliktin e ngrirë që kemi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për këtë duhet vërtetë një impenjim shumë më serioz, ashtu siç kërkohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Ju jeni takuar edhe vet me zotin (Gabriel) Escobar. A ishte kjo kërkesë drejtuar edhe juve, e kam fjalën për Asociacionin e komunave me shumicë serbe?

Memli Krasniqi: Këtu obligimi kushtetues dhe ligjor për të udhëhequr dialogun dhe për të ndërmarrë veprime të nevojshme i takon kryeministrit dhe qeverisë. Edhe Gjykata Kushtetuese pat vendosur në një aktgjykim të një ligji para disa vitesh kur ne nga pozicioni i pozitës i dhamë opozitës të drejtën për ta udhëhequr dialogun, pat vendosur që kjo nuk është e drejtë dhe duhet që vet qeveria dhe kryeministri ta bëjë një gjë të tillë. Andaj, raportet tona me partnerët ndërkombëtarë dhe në këtë rast me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë raporte që i kemi mirëmbajtur pavarësisht pozicionit tonë. Kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë dhe SHBA-së është që të ketë një angazhim serioz dhe unë besoj që dita e ditës janë duke kuptuar që një rekomandim si Parti Demokratike dhe unë personalisht e kemi dhënë qysh moti që të mos ketë një qasje parciale, që të mos fokusohemi në tema të ndara por që të fokusohemi në atë që thuhet “nuk jemi dakorduar për asgjë derisa nuk jemi dakorduar për gjithçka” të jetë qasja e re e këtij dialogu. Unë besoj që vetëm kështu mund të arrijmë një rezultat konkret sepse përndryshe do të ketë gjithmonë kushtimisht po e quaj, zjarre të reja e pastaj ndërkombëtarët po shndërrohen në zjarrfikës.

Zëri i Amerikës: Megjithatë për Asociacionin është ngulur këmbë shumë kohëve të fundit posaçërisht nga diplomacia amerikane. Si të tejkalohet kjo, si t’i gjendet zgjidhja?

Memli Krasniqi: Në mënyrë të thjeshtë, duhet të jetë pjesë e marrëveshjes të përgjithshme e cila rezulton me njohjen e ndërsjellë. Asociacioni edhe kur është diskutuar asnjëherë nuk është diskutuar që të ketë kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk është diskutuar dhe as kërkuar që të ketë çfarëdo lloj karakteri që del jashtë Kushtetutës së Kosovës. Asociacioni nëse themelohet dhe ai duhet të jetë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme që rezulton me njohje të ndërsjellë, duhet të jetë një grumbullim i kompetencave ekzistuese brenda Kushtetutës së Kosovës, të cilat mund të modelohen për t’iu dhënë një siguri që e kërkojnë komuniteti serb në Kosovë. Unë besoj se vizioni i institucioneve, qeverisë dhe i Kosovës duhet të jetë jo se çka kërkon Serbia por çka kërkojnë qytetarët e komunitetit serb të Kosovës dhe nëse kjo është qasja unë besoj që do të jetë më e lehtë që të arrihet deri te ai moment ku modelohet edhe Asociacioni brenda Kushtetutës së Kosovës por gjithsesi brenda një pakoje, një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse obligative për të gjithë që rezulton me njohjen e ndërsjellë.

Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi ju e vlerësuat situatën të rëndë në veriun e Kosovës. Cili është roli i opozitës, çfarë po bën opozita për ta ndihmuar qeverinë apo po bën opozitarizëm klasik për të përfituar nga situata në të cilën ndohhet qeveria?

Memli Krasniqi: Unë kam thënë prej ditës që jam kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës se modeli më i keq i opozitës që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë ka qenë modeli i Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit. Ata sot janë në pushtet, ne asnjëherë nuk do t’i bëjmë opozitë shtetit tonë për shkak të pozicionit që jemi. Për sa i përket dialogut me Serbinë, ne ia kemi dhënë edhe mbështetjen e plotë dhe hapësirën e nevojshme e të mjaftueshme kryeministrit që të merret seriozisht me këtë çështje, as nuk e kemi ftuar për të raportuar në Kuvendin e Kosovës e as nuk e kemi akuzuar për krejt gabimet e mëdha që ka bërë në këtë proces përveç se në situata të caktuara kemi shpreh bindjen dhe mendimin tonë se nuk duhet të tërhiqet nga qëllimi dhe procesi për të pasur marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë dhe po ashtu në momentin kur veprimet e tij në kundërshtim me kërkesat amerikane filluan një proces të dorëheqjes së serbëve nga institucionet, unë i kam shkruar letër duke i ofruar tërë mbështetjen dhe ndihmën e Partisë Demokratike në çfarëdo forme për të kthyer normalitetin atje. Pas kësaj ka ndodhur edhe një takim dhe ne edhe në raportet me ndërkombëtarët e kemi shprehur qëndrimin që besoj që e kemi të ngjashëm gjitha partitë politike. Andaj, ne nuk e kemi penguar në asnjë formë por përkundrazi, besoj që e kemi ndihmuar më shumë se sa e meriton.

Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi ju gjatë tërë kohës folët për njohjen e ndërsjellë ndërkaq kemi një propozim që u bë i njohur si nisma franko-gjermane që tashmë po quhet propozimi evropian, që në fakt parasheh një marrëveshje por pa njohje të ndërsjellë por me angazhimin e të dyja palëve që nuk do ta pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese. A është e pranueshme një marrëveshje e tillë dhe si e shihni ju rrjedhën e saj?

Memli Krasniqi: Unë e kam parë vetëm versionin e parë të dokumentit dhe nuk e kam parë dokumentin e ri që është sjellë në Kosovë. E kam bërë të qartë se versioni i parë është i papranueshëm për Kosovën dhe unë nuk besoj që ka parti politike shqiptare që mund ta pranojë një gjë të tillë sepse realisht ai dokument kërkon që të hiqet dorë së paku për një periudhë të caktuar nga njohja e ndërsjellë. Realisht kjo do të ishte një transformim i madh i kërkesës të cilët e kemi të gjithë që të ketë një marrëveshje me njohjen në qendër dhe kjo është një marrëveshje me Asociacionin në qendër dhe jo me njohjen. Kështu që shpresoj shumë dhe kjo ka qenë kërkesa ime drejtuar kryeministrit që të trajtojë këtë temë seriozisht dhe ta angazhohet që të nxjerrë më të mirën. Dokumentet nuk janë asnjëherë rigjide deri në atë masë që të mos ndryshohen. Fatmirësisht nuk ka pasur një qasje merre ose leje sepse po të kishte unë besoj se do të përfundonte shpejt do të ishte leje dhe pastaj ne do të mbeteshim në këtë status-quo e cila nuk është fare e mirë por po ashtu nuk do të hiqnim dorë nga objektivat shtetërore dhe qytetare që i kemi.

Zëri i Amerikës: A ka ndryshuar diçka në diplomacinë perëndimore madje përfshirë edhe atë amerikane, ata e mbështesin fuqishëm këtë propozim që në fakt nuk përfshinë njohje?

Nëse kjo marrëveshje do të arsyetohej si një marrëveshje bazë pa një termin të caktuar apo datë për marrëveshjen finale, druaj se krejt çfarë do të ndodhë është krijimi i një status-quoje të re…

Memli Krasniqi: Në fakt është ndryshimi më substancial i disa viteve të fundit. Është e hera e parë që shohim një koncentrim dhe dakordim të të gjitha palëve perëndimore duke përfshirë Evropën, shtetet kryesore evropiane Gjermaninë, Francën por po ashtu edhe Mbretërinë e Bashkuar, Italinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë të tjerë, pra ka një mbështetje për të pasur një proces, për të shkuar përpara, për të arritur një marrëveshje që tashmë quhet marrëveshja bazë. Kjo nuk është marrëveshje finale, unë këtu e kam shqetësimin themelor, nëse kjo marrëveshje do të arsyetohej si një marrëveshje bazë pa një termin të caktuar apo datë për marrëveshjen finale druaj se krejt çfarë do të ndodhë është krijimi i një status-quoje të re e cila mund të jetë më e favorshme në disa elemente për Kosovën por nuk do të zgjidhë problemet që kemi me Serbinë e të cilat unë konsideroj që domosdoshmërisht duhet të jenë të zgjidhura për të mos ia lënë këtë gjeneratave pasuese.

KFOR: Po shqyrtojmë kërkesën e Serbisë për dislokimin e trupave

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka pranuar kërkesë nga Serbia lidhur me dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

“Aktualisht jemi duke e shqyrtuar” këtë kërkesë, u tha në përgjigjen e KFOR-it dërguar Radios Evropa e Lirë.

“KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë misionin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, shtoi ky mision.

Më 15 dhjetor, autoritetet në Serbi bënë të ditur se kanë vendosur që t’i drejtohen KFOR-it me kërkesë për dislokimin e trupave në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se është e qartë se kërkesa do të refuzohet.

Serbia këtë kërkesë e ka bërë duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur ditëve të fundit.

Raportohet se KFOR-it i është dorëzuar kërkesa për trupat serbe në Kosovë

RFE/RL

Radiotelevizioni i Serbisë ka raportuar të premten se misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i është dorëzuar kërkesa për dërgimin e pjesëtarëve të forcave serbe të sigurisë në territorin e Kosovës.

Sipas raportimeve, kërkesa është bërë në Merdare, një prej pikëkalimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur të enjten se Qeveria e Serbisë do t’ia nisë KFOR-it këtë kërkesë në formë elektronike.

Sipas tij, bëhet fjalë për kthimin e 100 deri në 1.000 trupave të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Ai ka paralajmëruar se të nesërmen (16 dhjetor) kërkesa e njëjtë do të dërgohet edhe në kufirin me Kosovën.

Beogradi e ka marrë këtë vendim pas pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në rajonin verior.

Beogradi zyrtar e arsyeton këtë kërkesë duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Vetë Vuçiq ka thënë se pret që kërkesa të mos i pranohet, duke u bazuar në mesazhet që kanë dhënë zyrtarët ndërkombëtarë ditëve të fundit.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

Ai ka deklaruar po ashtu se SHBA-ja e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Serbia e ka bërë këtë kërkesë në kohën e rritjes së tensioneve në veri.

Disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada më 10 dhjetor si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për të arrestuar ish-zyrtarin serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Sipas autoriteteve të Kosovës, ai ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në fillim të muajit dhjetor.

Autoritetet e Kosovës kanë bërë përpjekje për të organizuar zgjedhjet lokale në veri, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të përfaqësuesve të serbëve atje për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

Pas sugjerimeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, zgjedhjet janë shtyrë në prill të vitit të ardhshëm.

U.d. i Prokurorit të Specializuar Alex Whiting pas dënimit të Salih Mustafës: Fitore për drejtësinë dhe viktimat e tij

Gjykata Speciale e ka shpallur sot fajtor ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën, dhe e ka dënuar me 26 vjet burgim.

Sipas një njoftimi të ZPS’së, Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar Alex Whiting, e ka mirëpritur këtë vendim, duke thënë se përbën fitore për drejtësinë, në veçanti “për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre”, raporton Express.

“Aktgjykimi i sotëm përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre, të gjithë shqiptarë të Kosovës, tragjeditë personale të të cilëve ishin në zemër të këtij rasti, dhe që kanë vuajtur për më shumë se dy dekada për shkak të veprimeve të Z. Mustafa,” , ka deklaruar Whiting.

Ai përshëndeti kurajën e dëshmitarëve që dhanë dëshmi para Dhomave të Specializuara.

“Dëshmia e dëshmitarëve që i dhanë besimin e tyre Dhomave të Specializuara që të sjellë drejtësi, pati ndikim kritik tek aktgjykimi dhe unë duartrokas kurajën e tyre të jashtëzakonshme që dolën për të dhënë dëshmi në gjykatë,” vazhdoi Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar. “Krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka bërë të mundur që këto viktima të tregojnë historitë e tyre dhe të marrin drejtësi.”

Mustafa është shpallur fajtor për veprat: vrasje e paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar.

Ky është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Në përmbledhje të aktgjykimit, Kryegjakatësja Mappie Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.

“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.

Njoftimi i plotë i ZPS’së:

Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar Alex Whiting mirëpriti vendimin e sotëm në gjykimin ndaj Salih Mustafës si një masë që u jep drejtësi viktimave dhe përshëndeti kurajën e dëshmitarëve që dhanë dëshmi para Dhomave të Specializuara.

“Aktgjykimi i sotëm përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre, të gjithë shqiptarë të Kosovës, tragjeditë personale të të cilëve ishin në zemër të këtij rasti, dhe që kanë vuajtur për më shumë se dy dekada për shkak të veprimeve të Z. Mustafa,” tha Z. Whiting në përgjigje të vendimit fajtor nga Trupi Gjykues.

“Dëshmia e dëshmitarëve që i dhanë besimin e tyre Dhomave të Specializuara që të sjellë drejtësi, pati ndikim kritik tek aktgjykimi dhe unë duartrokas kurajën e tyre të jashtëzakonshme që dolën për të dhënë dëshmi në gjykatë,” vazhdoi Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar. “Krijimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka bërë të mundur që këto viktima të tregojnë historitë e tyre dhe të marrin drejtësi.”

Z. Mustafa u shpall fajtor për katër akuza për krime lufte – mbajtje arbitrare; torturë; dhe vrasje – dhe u dënua me 26 vjet burg.

Të gjithë viktimat ishin shqiptarë të Kosovës, disa prej të cilëve i ishin bashkuar UÇK-së vullnetarisht sepse ata besonin me forcë në luftën për pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata vendosi se Z. Mustafa përdori autoritetin e tij për të viktimizuar dhe trajtuar brutalisht bashkëpatriotët e tij shqiptarë të Kosovës,” tha Z. Whiting.

Z. Mustafa u arrestua më 24 shtator 2020 nga ZPS-ja pas lëshimit të një urdhër arresti, urdhër transferimi dhe aktpadie të konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 dhe ZPS-ja e mbylli çështjen e saj më 4 shkurt 2022. ZPS-ja paraqiti kundërprovat më 1 qershor 2022 dhe procedura e paraqitjes së provave përfundoi më 20 qershor 2022. Deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13 dhe 15 shtator 2022. ZPS-ja thirri 14 dëshmitarë gjithsej.

“Me vendimin e sotëm, Dhomat e Specializuara kanë treguar se ato janë një gjykatë për viktimat dhe rreth viktimave dhe se nuk ka datë skadimi për dhënien e llogarisë,” përfundoi z. Whiting.

Për çka u dënua Salih Mustafa me 26 vjet burg?

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar të premten nga Gjykata Speciale me seli në Hagë me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

“Në emër të popullit të Kosovës, për arsyet e shtjelluara në aktgjykim dhe të përmbledhura më lartë, dhe duke marr parasysh të gjitha provat dhe argumentet e palëve mbrojtëse të viktimave, Trupi Gjykues, në bazë të neneve 43 dhe 44 të Ligjit dhe rregullave 158 dhe 159, 163 dhe 165 të Rregullores, ju shpall juve z. Mustafa, fajtor për:

 

“Pikën 3: torturë si krim lufte, sipas neve 14 paragrafi 1, pika c dhe i dhe neneve 16 1a të Ligjit, kryerje e drejtpërdrejtë”. “Pikën 1: Ndalim arbitrar si krim lufte sipas neneve 14 1c dhe 16 1a të ligjit si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.” – thuhet tutje në aktgjykim. “Për pikën 3: torturë si krim lufte, sipas neneve 14 1c dhe i, dhe 16 1a të Ligjit, si pjesë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët në formën bazë të saj.” – u tha tutje.

Mustafa fillimisht është akuzuar për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krime është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Sa i përket akuzës për ndalim arbitar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën 6 personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999.

“Viktimat u arrestuan nga anëtarë të BIA-s, apo anëtarë tjerë të UÇK-së afër Zllashit”.

Ajo ka thënë se qendra e ndalimit në Zllash është kontrolluar nga Mustafa.

Për akuzën e torturës, krygjykatësja ka thënë se të ndaluarit janë mbajtur në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese.

Ajo ka thënë se pika e trajtimit mizor është mbuluar nga pika e torturës dhe si e tillë nuk është shqyrtuar më tej.

“Ata janë mbajtur në kushte të mjerueshme në mes të bajgave të bagëtive”.

“Ata flinin në ujë, në pellgje, në ahur ishte gjithmonë terr, ata nuk kishin ushqim të mjaftueshëm, kalonin dy tri-ditë pa ngrënë”.

“Kur të ndaluarit kërkuan ujë, ushtarët e BIA-s urinuan mbi ta duke thënë, ‘ja uji’”.

Ajo ka thënë se të ndaluarit janë rrahur me shkop bejsbolli, janë rrahur, janë djegur.

“Vetë Mustafa ka marrë në pyetje dhe ka keqtrajtuar dy prej tyre”.

Ajo po ashtu ka thënë se vetë Mustafa ka urdhëruar vartësit e tij ta rrihnin një të ndaluar derisa ka humbur ndjenjat.

Sipas saj, të ndaluarit janë keqtrajtuar edhe psiqikisht.

“Një dëshmitar ka thënë se ka dëgjuar zëra të njerëzve ‘duke bërë si qenë, mace’ dhe nuk kanë mundur të flinin”.

Në pikën për vrasje të paligjshme, Veldt-Foglia ka thënë se vdekja e një viktime në periudhën e fundit të prillit 1999, “mund t’i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të zotit Mustafa si komandant i BIA-s”.

Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm derisa në një rast, gjykatën e ka konsideruar “zyre të Gestapos”, referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor për krime lufte që ka nisur në Gjykatën Speciale.

HISTORIKU I AKTAKUZËS

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

PËRMBLEDHJE E AKUZAVE

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës. Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së paten të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash. Qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e specifikuara si në vijim.

Salih Mustafa akuzohet për:

KRIMET E LUFTËS TË :

  • Ndalimit arbitrar (Pika 1)
  • Trajtimit mizor (Pika 2)
  • Torturës (Pika 3)
  • Vrasje së paligjshme (Pika 4)

ZHVILLIMET PROCEDURALE

  • Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.
  • Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
  • Palët i dorëzuan (si konfidenciale) versionet e tyre të fundit të dosjeve paraprake, më 22 shkurt 2021 (Zyra e Prokurorit të Specializuar) dhe më 6 maj 2021 (Mbrojtja).
  • Më 30 prill 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake nxori vendimin e parë mbi kërkesat e viktimave.
  • Më 7 Maj 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I.
  • Më 21 maj 2021, Trupi Gjykues nxori vendimin e dytë mbi kërkesat e viktimave. Trupi Gjykues gjithashtu zgjati afatin për viktimat për të aplikuar deri në mbylljen e çështjes së Prokurorit të Specializuar. Në këtë çështje morën pjesë 8 viktima brenda një grupi të vetëm (Grupi 1).
  • Konferencat përgatitore për gjykimin në këtë çështje u mbajtën më 9 dhe 10 qershor 2021.
  • Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave. Më 4 shkurt 2022, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.
  • Më 23 shkurt 2022, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave kundër të akuzuarit, në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së. Konferenca përgatitore e Mbrojtjes dhe konferenca përgatitore mbi pjesëmarrjen e viktimave u mbajtën më 8 dhe 9 mars 2022.
  • Paraqitja e provave nga Mbrojtja filloi më 22 mars 2022, paraprirë prej paraqitjes së provave nga mbrojtësja e viktimave, më 21 mars. Më 26 maj 2022, Mbrojtja e Salih Mustafës njoftoi për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave prej tyre.
  • Më 1 qershor 2022, ZPS-ja paraqiti kundërprovat e veta duke thirrur një dëshmitar dhe duke ofruar prova dokumentare shtesë.
  • Më 3 qershor 2022, Trupi Gjykues paraqiti prova shtesë, në bazë të rregullës 132 të Rregullores, gjegjësisht dy raporte ekspertësh lidhur me vlerësimin e gjendjes shëndetësore të disa viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje.
  • Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022. Më 21 dhe 22 korrik 2022, Mbrojtja e Mustafës dhe Prokuroria i dorëzuan dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare. Deklaratat përmbyllëse u bënë në periudhën 13-15 shtator 2022.

Sali Mustafa dënohet më 26 vjet heqje lirie për krime lufte

VOA

Gjykata e Posaçme e Kosovës për krime lufte me seli në Hagë e shpalli fajtor dhe e dënoi me 26 vjet heqje lirie Sali Mustafën një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzat për krime lufte.

Vendimi i sotëm paraqet edhe vendimin e parë të kësaj gjykate.

Salih Mustafa, u shpall fajtor nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi në Kosovë, ku prokurorët thonë se të burgosurit, kryesisht shqiptarë të Kosovës që ishin kundërshtarë politikë të UÇK-së, rriheshin dhe torturoheshin çdo ditë.

Në akuzën kundër zotit Mustafa thuhet se ai personalisht ka marrë pjesë në disa nga rrahjet dhe torturimet e të paktën gjashtë të burgosurve dhe kishte qenë i pranishëm kur njëri prej tyre është lënduar aq rëndë sa që më vonë ka vdekur.

Sipas akuzës, krimet dyshohet të jenë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash të komunës së Prishtinës.

Më 13 shtator prokurorët në Hagë kërkuan që zoti Mustafa të dënohet me 35 vjet heqje lirie, nën pretendimet se kishte drejtuar një “dhomë torture” gjatë luftës së viteve 1998-99.

Sali Mustafa, 50 vjeçar, i ka mohuar akuzat dhe avokatët e tij thanë se dëshmitarët e prokurorisë i kanë shpikur rrëfimet e tyre.

Procesi kundër zotit Mustafa filloi në shtator të vitit 2021 në Gjykatën e Posaçme të Kosovës më seli në Hagë. Ai u arrestua në shtator të vitit 2020 nën akuzat për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Aktualisht në Hagë ndodhen edhe ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u arrestuan në nëntor të vitit 2020

Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më shumë se 13 mijë veta besohet se janë vrarë gjatë kryengritjes së viteve 1998-99 në Kosovë, kur ajo ishte ende nën administrimin serb nën presidentin e atëhershëm Slobodan Millosheviç. Lufta mori fund më ndërhyrjen e NATO-s dhe Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Beogradi i mbështetur nga Moska vazhdon ta kundërshtojë shtetësinë e saj.

Gjykata Speciale shpall vendimin për Salih Mustafën

Krenare Cubolli

Të premten e 16 dhjetorit, Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë aktvendimin për Salih Mustafën, ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ky njëherësh do te jetë aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Më herët, pranë këtij institucioni janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

Për çka akuzohet Mustafa?

Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm derisa në një rast, gjykatën e ka konsideruar “zyre të Gestapos”, referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor për krime lufte që ka nisur në Gjykatën Speciale.

Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Si ka ecur procesi gjyqësor?

Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.

Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.

Aty përfshihen edhe tetë viktima që kanë dhënë dëshmitë e tyre.

Ish-Prokurori i Specializuar, Jack Smith, ka thënë muaj më parë se në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës.

Pas angazhimit të Smithit në një rast tjetër gjyqësor, Alex Whiting është në pozitën e ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Specializuar.

Prokuroria pati thënë se “faji i vetëm” i disa viktimave ishte se kanë qenë pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në mbrojtje të Mustafës janë angazhuar: Julius von Bone, avokat, dhe Betim Shala, bashkëmbrojtës.

Çfarë ka thënë Prokuroria?

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka argumentuar në rastin kundër Mustafës se, viktimat janë mbajtur në një qendër ndalimi në Zllash, në një ndërtesë dykatëshe dhe të izoluar nga strukturat tjera.

Kjo ndërtesë nuk ekziston më.

Sipas Prokurorisë, sidomos dy viktima të mbajtura në Zllash janë trajtuar keq.

Njëra prej tyre nuk është gjetur asnjëherë, ndërsa trupi i një viktime tjetër është gjetur në një varr të cekët në distancë të shkurtë nga qendra në Zllash.

Sipas Prokurorisë, disa individë ende kanë frikë të flasin lirshëm për torturat që kanë përjetuar, dhe kanë deklaruar se nuk kanë qenë kurrë “armiq të Kosovës”.

“Viktimat janë etiketuar si bashkëpunëtorë dhe spiunë që punojnë për armikun, sepse nuk e kanë përkrahur mjaftueshëm UÇK-në, prandaj janë burgosur në një pronë në Zllash”, pati thënë ish-Prokurori Smith.

Proceset tjera gjyqësore të Gjykatës Speciale

Përveç, Mustafës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, dhe Shala dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Kryetarja e Gjykatës Speciale të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka thënë muaj më parë se pret që gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, të nisë në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm.

Deri më tani, Gjykata Speciale ka shpallur dy aktvendime.

Në to janë shpallur fajtorë Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj për pengim të administrimit të drejtësisë, dhe janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

Ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Gjykatës Speciale.

Si Gucati, ashtu edhe Haradinaj kanë apeluar vendimet e gjykatës.

Gjykata Speciale e Kosovës është formuar pas publikimit të një raporti të Këshillit të Evropës më 2011, nën autorësi të senatorit zviceran, DickMarty.

Në atë raportuar janë përmendur krimet e pretenduara në Kosovë.

Në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për Gjykatën Speciale, deputetët kanë miratuar edhe një ligj tjetër që ua garantonte të akuzuarve potencialë mbështetjen financiare.

Në dy vjetët e fundit, buxheti i Kosovës ka ndarë mbi 13 milionë euro për qytetarët e akuzuar në këtë gjykatë.

Shuma më e madhe e parave është shpenzuar për avokatët e tetë të akuzuarve.

Trajkoviq thotë se policia serbe nuk po ia mundëson kalimin në Merdare

RFE/RL

Rada Trajkoviq, këshilltarja e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë të premten se policia e Serbisë nuk është duke e lejuar të hyjë në Serbi.

“Jam duke qëndruar në linjën administrative për 11 orë, pa sqarime, pa arsye, dokumentet më janë konfiskuar ilegalisht dhe më është parandaluar liria e lëvizjes”, ka thënë Trajkoviq përmes një postimi në Twitter.

Ajo fillimisht është ndaluar në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare, më 15 dhjetor, kur ka tentuar të hyjë në Kosovë, dhe sërish pasi ka tentuar të largohet nga ky shtet.

Ministria e Brendshme e Serbisë nuk është deklaruar lidhur me këtë rast, dhe as nuk u përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë pse është ndaluar Trajkoviq, e cila shpesh kritikon politikat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ditë më parë, Trajkoviq ka thënë se, përveç kërcënimeve ndaj saj për përfshirjen politike në Qeverinë e Kosovës, kërcënime kanë nisur të kenë edhe fëmijët e saj.

Më 15 dhjetor, Trajkoviq është takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Pas takimit, Hovenier ka thënë se kërcënimet dhe frikësimet për shkak të qëndrimeve politike, janë të papranueshme në shoqëritë e lira dhe demokratike.

Përndryshe Rashiq është emëruar ministër pasi përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – janë larguar nga institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Emërimi i Rashiqit dhe Trajkoviqit është kritikuar nga Beogradi zyrtar.

Trajkoviq: Vuçiq i frikësohet arrestimit të vrasësve të Ivanoviqit, këtë po mundohet ta pengojë me barrikada

Rada Trajkoviq, këshilltare e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, barrikadimin e veriut e lidhë me rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Trajkoviq, në një intervistë për Danas shtroi pyetjen se a janë barrikadat në veri të Kosovës abuzim i njerëzve nga ana e Beogradit për t’i mbrojtur vrasësit e Ivanoviqit. Ajo thotë se njerëzit janë të detyruar t’i bllokojnë rrugët, përcjell Gazeta Express.

“Ajo që dëgjuam, pamë dhe u botua në SHBA, se Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq u quajtën grup kriminal rajonal, pothuajse i nivelit ndërkombëtar, është diçka që tregon statusin e tyre, siç i percepton Amerika – mafia më klasike”, thotë Trajkoviq.

Ajo tha se Veselinoviq dhe Radoiçiq kanë “marrëveshje fitimprurëse me qeverinë e Ana Bërnabiqit”.

“Këto janë të gjitha gjëra për të cilat flitet pak, dhe unë vazhdimisht përpiqem dhe dua që këta njerëz ta dëshmojnë pafajësinë e tyre në atë që të gjithë serbët në Kosovë e dinë dhe e besojnë, që është përfshirja në vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, tha Trajkoviq.

Lidhur me pretendimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se ai nuk i ka urdhëruar serbët të krijojnë barrikada, Trajkoviq tha:

“Epo, mendoj… Ai dëshiron të thotë se Radoiçiq është shkëputur nga pushteti. Sikur edhe Veselinoviq. Mirë. Le ta vërtetojë duke i arrestuar. Le të bëjë marrëveshje me forcat e sigurisë së KFOR-it dhe le ta përdorë sistemin e sigurisë për qëllime të dobishme… Kjo është e vetmja mënyrë që ai të na tregojë se distancohet nga njerëz të tillë”.

Trajkoviq beson se Vuçiq frikësohet nga Veselinoviqi dhe Radoiçiqi.

Çështjen në veri të Kosovës, Trajkoviq tha se Serbia nuk mund ta zgjidhë “me asnjë ushtri, me kërcënime, me asnjë barrikadë”.

Sulmohet patrulla e EULEX-it në Rudarë

Rruga që të çon për në Rudarë, Zveçan. 11 dhjetor 2022.

RFE/RL

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka konfirmuar se një shok bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit.

EULEX-i bëri të ditur se “asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale”, por i cilësoi sulmet e tilla të papranueshme.

“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e EULEX-it në Facebook.

Në këtë njoftim tutje thuhet se EULEX-i do ta vazhdojë punën për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe për sigurinë e qytetarëve.

“Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t’i sjellin përpara drejtësisë”, thanë nga EULEX-i.

Këtë sulm e ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një postimi në Twitter. Ai ka kërkuar që përgjegjësit të ndëshkohen.

“SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrullë të EULEX-it mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, shkroi Hovenier në Twitter.

Gjatë ditëve të fundit janë shënuar disa incidente në pjesën veriore të Kosovës. Gjatë javës u raportua për një sulm në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që po përgatitej për zgjedhje në veri – zgjedhje që të shtunën presidentja Vjosa Osmani i shtyu për në prill të vitit të ardhshëm.

Në atë pjesë të Kosovës ishin planifikuar zgjedhje pas dorëheqjes të përfaqësuesve të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë në fillim të nëntorit. Lista Serbe kishte kundërshtuar vazhdimisht mbajtjen e tyre.

Pas sulmit në zyrat e KQZ-së, Policia e Kosovës e shtoi prezencën në veri, me qëllim të, siç është thënë, “sigurimit të qytetarëve”. Më vonë, më 8 dhjetor, u raportua edhe për plagosjen e një zyrtari të Policisë së Kosovës në veri.

Së fundi, autoritetet e Kosovës arrestuan ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për shkak të, siç është thënë, dëshmive se ai ka organizuar “sulmin terrorist në zyrat e KQZ-së në veri të vendit”.

Si shenjë pakënaqësie, serbët lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar disa rrugë në veri. Policia e Kosovës më vonë ka njoftuar për mbylljen e dy pikëkalimeve mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës duhet të hiqen menjëherë dhe se autoritetet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ndërsa, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.

Policia raporton për disa incidente të armatosura në veri

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut më 9 dhjetor 2022.

RFE/RL

Policia e Kosovës tha se “grupet kriminale” që kanë bllokuar disa rrugë në veri të Kosovës, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri kundër njësiteve policore në rrugën që të çon në pikën kufitare Bërnjak, e cila lidh Kosovën me Serbinë.

Përmes një komunikate për media, Policia tha se zyrtarët policorë u janë përgjigjur këtyre sulmeve, po ashtu me armë zjarri, dhe sulmuesit më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

“Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara”, u tha në njoftim.

Policia tha se për të shtëna me armë zjarri është dëgjuar në disa pjesë të veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Serbët lokalë më 10 dhjetor ngritën barrikada në veri të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se arrestuan sot në Jarinjë ish-policin, Dejan Pantiq. Ai akuzohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Tensionet në veri janë rritur që nga 6 dhjetori, kur u dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Që nga ajo kohë, autoritetet kanë raportuar se në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, ka pasur të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave të dorës dhe shok bombave. Po ashtu, një zyrtar policor u plagos lehtë gjatë një sulmi në Zveçan më 8 dhjetor.

Zyrtarët në Kosovë, për këto incidente fajësojnë “bandat kriminale” të “financuara dhe dirigjuara” nga Serbia, teksa Policia e Kosovës ka shtuar praninë e saj në veri. Serbia ndërkaq, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet misionit të KFOR-it me kërkesë që të dislokojë trupat serbe në Kosovë.

Për shkak të situatës së sigurisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës. Ato janë caktuar të mbahen në prill të vitit të ardhshëm.

Paraprakisht, zgjedhjet ishin caktuar që të mbaheshin më 18 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Këto komuna, që nga nëntori kanë mbetur pa kryetarë, pas dorëheqjes së tyre.

Policia mbyll pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak

RFE/RL

Policia e Kosovës njoftoi se ka mbyllur për qarkullim pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Autoritetet e rendit kërkuan që qytetarët të përdorin për qarkullim pikëkalime të tjera.

Policia tha se kjo është një masë paraprake e sigurisë, pasi serbët lokalë bllokuan disa rrugë në veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës.

“Bllokimi i rrugëve ka ndodhur kryesisht në disa rrugë, përfshirë edhe rrugë nacionale të komunave të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave”, tha Policia e Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se kanë arrestuar më 10 dhjetor ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiq.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ish-polici serb ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Ai shtoi se Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm ndaj rendit kushtetues.

Që nga 6 dhjetori janë shënuar disa incidente në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, në kohën kur autoritetet zgjedhore po vazhdonin punën e tyre për organizimin e zgjedhjeve lokale, që fillimisht ishin paraparë të mbaheshin më 18 dhjetor.

Por, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se zgjedhjet janë shtyrë për prillin e vitit të ardhshëm.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – në nëntor njoftoi për dorëheqjen e zyrtarëve serbë nga niveli komunal e qendror, përfshirë nga Policia e Kosovës, gjyqësori dhe institucionet e tjera të Kosovës në veri.

Këto dorëheqje erdhën në shenjë kundërshtimi me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rirregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale serbe.

Lista Serbe po ashtu kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve për udhëheqësit e komunës së Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Serbët bllokojnë rrugët në Zveçan dhe Leposaviq

Në Rudarë në afërsi të Zveçanit serbët lokalë kanë filluar që të bllokojnë rrugët. Njëjtë po ndodh edhe në Leposaviq. Kështu raporton Radio Evropa e Lirë.

Ndërkohë në Mitrovicë të veriut janë dëgjuar edhe sirenat.

Në Rudarë, në fotografitë që i ka publikuar edhe “Kosovo Online” shihen që janë grumbulluar edhe vetura të ambulancës, ndërkohë disa rrugë janë bllokuar me kamionë të mëdhenj.

Gjithë kjo raportohet të ketë ndërlidhje me arrestimin që ka ndodhur sot në Jarinje të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Lista Serbe: Radoiçiq, organizator i rezistencës në veri

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – e ka dënuar vendimin e autoriteteve britanike për të sanksionuar zëvendës-presidentin e kësaj partie, Millan Radoiçiq, dhe e konsideruar atë “patriot të dëshmuar të rezistencës ndaj pushtimit të veriut të Kosovës” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Për më shumë, këto veprime transparente dhe etiketime pa asnjë provë ndaj tij, prej të cilave përfiton Albin Kurti për të prezantuar veriun si vend krimi, shpërfaqin gjithë nervozimin e atyre që duan të gjunjëzojnë serbët për më shumë se dy dekada, për t’i asimiluar dhe dëbuar ata nga shtëpitë e tyre”.

Në vendimin e autoriteteve britanike është thënë se Milan Radoiçiq, biznesmen nga industria e ndërtimit, “ka përfituar nga përvetësimi i kontratave shtetërore dhe ka përdorur ndikimin e tij për t’u dhënë kontrata fitimprurëse kompanive të tij të ndërtimit”.

Përveç Radoiçiqit, Britania ka sanksionuar edhe Zvonko Vesellinoviqin dhe Sllobodan Teshiqin.rel

Një polic i plagosur në veriun e Kosovës

VOA

Policia e Kosovës tha se një pjesëtar i saj është plagosur lehtë në një sulm i armatosur në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Në një njoftim të policisë thuhet se në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit, njësitë e policisë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasojë e incidentit, një pjesëtarë i policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë”.

Policia tha se po kryen hetime por nuk dha më shumë hollësi.

Incidenti ndodhi disa orë pasi policia tha se ka shtuar praninë e saj në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit i cili e cilësoi këtë si “pushtim të veriut” nga Prishtina.

Në një njoftim të policisë thuhet se “përparësi e saj është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, ditëve në vijim do të shtojë praninë policore në veri”.

Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit, thuhet në njoftim.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla tha se “ditëve të fundit, pas sulmeve të njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor dhe qytetarëve në veri të vendit, rritja e prezencës policore me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët është vlerësuar e domosdoshme”.

Shtimi i pranisë policore në veri, ku nuk ka më policë të përkatësisë kombëtare serbe të cilët braktisën vendet e punës në fillim të muajit nëntor, nxiti reagimin e Beogradit.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se 300 deri në 350 policë të Kosovës, përfshirë pjesëtarë të forcave të posaçme “kanë pushtuar dhe bllokuar” Mitrovicën e Veriut.

Serbia, tha ai, “do të shqyrtojë dërgimin e 1 mijë forcave të saj të sigurisë” në Kosovë në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, duke ju referuar dy neneve të asaj Rezolute që parashihte kthimin e një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.

Rezoluta përcaktoi edhe mandatin e forcave paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë e Kosovës dhe që muajve të fundit kanë shtuar praninë në veriun e vendit, ku ndodhen edhe forcat e policisë së Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Autoritetet vendase e ndërkombëtare nuk e komentuan deklaratën e zyrtarit serb, ndërsa policia tha se në veriun e Mitrovicës po patrullojnë njësitë e rregullta të saj dhe jo njësitë e posaçme. Prania e saj është përqendruar në lagjet me popullsi të përzier në veriun e qytetit.

Incidentet e fundit në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut në veriun e banuar me shumicë serbe ndodhën ndërsa policia po i shoqëronte zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në procesin e hapjes së Komisioneve komunale për zgjedhjet për kryetarë të katër komunave, që janë caktuar për datën 18 dhjetor. Grupe qytetarësh serbë penguan hapjen e zyrave të Komisioneve komunale të zgjedhjeve ndërsa policia njoftoi për të shtëna e shpërthime, por pa dëme në njerëz.

Situata e krijuar në zonë ka vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve dhe autoritetet kanë lënë të hapur mundësinë e shtyrjes së tyre, gjë që është kërkuar edhe nga diplomatët perëndimorë.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se nuk është koha e duhur për mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e Kosovës.

Presidentja e Kosovës tha se brenda ditësh do të sqarohet se cilat do të jenë veprimet e mëtejshme.

Zgjedhjet u shpallën pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës mes mospajtimeve mbi përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Procesi zgjedhor po bojkotohet nga Lista Serbe që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit dhe ka mbajtur pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe.

Vetëvritet i dyshuari për vrasjen e ish gruas në Prishtinë

VOA/Edlira Bllaca

Sokol Haliti, i dyshuar për vrasjen e ish gruas së tij shtatzënë të mërkurën në oborrin e spitaleve në Prishtinë, është vetëvrarë të premten.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svecla, tha nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se policia e gjeti vendndodhjen e tij por me gjithë përpjekjet për të negociuar dorëzimin, ai vrau veten.

Njoftimi u bë i ditur pothuajse në të njëjtën kohë kur në fshatin Llugaxhi, rreth 20 kilometra larg kryeqytetit, po mbahej ceremonia e varrimit të gruas së vrarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se po vazhdojnë hetimet për të ndriçuar rrethanat dhe motivet e mundshme të vrasjes, ndërsa theksoi se i gjithë zinxhiri përgjegjës institucional duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet.

Nuk mund të merremi me vendimet të cilat i merr gjyqësori, mirëpo më duhet të them me keqardhje që kur vie puna për vetvete po dalin të jenë shumë efikas, për dallim prej lëndëve të panumërta që janë pluhurosur nëpër sirtarët e Pallatit të Drejtësisë e të cilat lëngojnë aty dhe nuk trajtohen as me kohë e as si duhet”, tha ai.

Vrasja e gruas shtatzënë ndodhi pak ditë pasi një burrë dyshohet se vrau gruan e tij me sëpatë në orët e hershme të 25 nëntorit në Prishtinë.

Të dy vrasjet ndodhën në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “as edhe një më shumë”. Si pjesë e veprimtarive të kësaj fushate, të premten ministria e Drejtësisë njoftoi se është hartuar kurrikula e parë në vend për trajnimin e profesionistëve në ofrimin e programeve për kryesit e dhunës në familje.

Veprimtaret që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë në vazhdimësi kanë tërhequr vërejtjen për mungesën e programeve rehabilituese për kryesit e dhunës me bazë gjinore, që vazhdon të jetë dukuri mjaft e përhapur në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se trajnimi i profesionistëve të parë do të nisë këtë muaj, ndërsa nënvizoi se përgjigja ndaj shifrave alarmante të rasteve të dhunës ndaj gruas duhet të jetë shumë sektoriale.

Përgjatë vuajtjes së dënimeve të tyre, flas për ata të cilët shpallen fajtor për këto vepra penale, dhunuesit duhet të kenë trajtim psiko-social përmes ofrimit të programeve adekuate ku edukohen dhe ndryshohen për mirë sjelljet e tyre të papërgjegjshme e të dënueshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojmë me të drejtë në përmirësimin e sjelljeve të atyre individëve që mbahen në qendrat korrektuese gjatë vuajtjes së dënimit”, tha ajo.

Shefi i zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power tha se Kosova me këtë dokument bën një hap para në linjë me Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje.

Kurrikula për trajnimin e profesionistëve në ofrimin e programeve për kryesit e dhunës në familje në Kosovë, lufton dhunën nga një aspekt i ri, duke e trajtuar shkaktarin që është sjellja e dhunshme. Derisa kryesit e dhunës duhet padyshim të mbahen përgjegjës dhe të dënohen për veprat e tyre, është gjithashtu thelbësore që këtu të përfshihet edhe një programi i trajtimit të tyre i cili luan rol shumë të rëndësishëm në dënimin e tyre”, tha ai.

Një nga autoret e këtij dokumenti, Adelina Badivuku, tha se ai përfshin disa shkallë të trajtimit dhe se ndër të tjera programi synon ndërprerjen të rasteve të përsëritshme të dhunës.

Niveli i parë ku do të bëhet vlerësimi, identifikohet modeli i motivimit që e ka një burrë për të ndryshuar sjellje dhe punohet me të që ai të motivohet dhe të fillojë të marrë përgjegjësi për sjelljen e tij. Niveli i dytë i intervenimit kalohet në grupe, pra seanca grupore në të cilat mund të kemi deri në 12 burra dhe të cilat ndërmjetësohen nga dy trajnues të gjinive të ndryshme, që të modelojmë barazinë gjinore para tyre dhe të kenë rastin të dëgjojnë mendimet e një gruaje dhe një burri trajnues”, tha ajo.

Të dhënat e policisë tregojnë se nga janari i këtij viti e deri në muajin tetor, janë shënuar dy mijë e 273 raste të dhunës në familje.

Gruaja e vrarë në Prishtinë kishte urdhër për mbrojtje

RFE/RL

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se gruaja shtatzënë, që është vrarë më 30 nëntor në oborrin e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, ka pasur urdhër për mbrojtje.

Autoritetet kanë thënë se vrasës ka qenë bashkëshorti i saj, dhe viktima besohet se ishte rreth moshës 35-vjeçare.

Sipas vendimit, urdhri për mbrojtje i ishte lëshuar për gjashtë muaj, përkatësisht prej 13 gushtit të këtij viti deri më 13 mars të vitit të ardhshëm.

Sipas Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, urdhri për mbrojtje lëshohet “me qëllim të parandalimit të dhunës në familje, për mbrojtjen e personit që i është ekspozuar dhunës, duke mënjanuar rrethanat që ndikojnë apo mund të ndikojnë në kryerjen e veprave tjera”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka konsideruar papërgjegjësi institucionale këtë vrasje dhe ka thënë se “sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë do të mund të ishte parandaluar”.

“Viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike, dhe prokuroria, personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegësi institucionale, është papërgjegjësi e prokurorit të rastit, sepse ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur po ashtu se i dyshuari për kryerjen e vrasjes është shpallur fajtor këtë vit për posedim të paautorizuar të armës dhe ka aktakuzë për veprën penale të kanosjes.

Sipas komunikatës, Gjykata ka refuzuar kërkesën e të pandehurit për hedhje poshtë të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ministrja Haxhiu ka thënë se Ministria e Shëndetësisë, qendrat për punë sociale dhe institucionet tjera, kanë marrë përgjegjësi për të verifikuar çdo veprim institucional të lidhur me këtë vrasje.

“Një grua, bashkë me foshnjën e saj që priste ta sillte në jetë, u vra para objektit të Gjinekologjisë. Ishte një rast i rëndë, i kobshëm, i trishtë, dhe ky rast na tregon sa i shprehur është femicidi që po vret jetë vajzash dhe grash. Pesë ditë, dy jetë të humbura, dy gra të vrara nga bashkëshortët e tyre”.

Policia ende nuk ka bërë të ditur nëse ka arrestuar persona të dyshuar për këtë rast.

Viktima është gruaja e dytë që është vrarë në ditët e fundit në Kosovë.

Më 25 nëntor është raportuar se një burrë e ka vrarë gruan e tij me sëpatë në një lagje të Prishtinës.

Më 25 nëntor, në Kosovë ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Rastet e dhunës në familje në Kosovë janë rritur viteve të fundit.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dhënë Radios Evropa e Lirë, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2.067 raste të dhunës në familje me 2.126 viktima.

Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat që janë vënë në dispozicion:

Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999

Mbrojtësit e viktimave: 0800111112

Dështon rezoluta e AAK që kërkon dialog me serbët për rikthim në institucione

RFE/RL

Në Kuvendin e Kosovës të mërkurën, më 30 nëntor, nuk ka kaluar një rezolutë e propozuar nga partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që kërkonte veprime të Qeverisë në lidhje me rikthimin e serbëve të dorëhequr nga institucionet e Kosovës.

Qindra serbë të Kosovës nga katër komunat veriore të vendit, që nga fillimi i nëntorit kanë dhënë dorëheqje nga disa institucione të Kosovës, përfshirë Policinë, gjyqësorin, si dhe në nivel politik në komuna dhe në Kuvendin e Kosovës.

Dorëheqjet u bënë në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që kërkonte riregjistrimin e targave të veturave që lëshohen nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës në RKS.

Për këtë, Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, e propozoi një rezolutë për votim në Kuvend që ndër tjerash kërkonte që “institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë”.

Një pikë tjetër e kësaj rezolute, e cila mori 21 vota për e 42 kundër, kërkonte edhe mbajtjen e një samiti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë.

Kurti për dorëheqjet e policëve: Duhet të ketë aplikime të reja për punë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të së mërkurës ku ishte thirrur në interpelancë ka komentuar dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës duke thënë se vakumet duhet mbushur me “aplikime të reja për punë”.

Duke folur specifikisht për dorëheqjet e 578 zyrtarëve policorë që vijnë nga komuniteti serb në Kosovë, ai tha se dorëheqjet janë bërë “për arsye të paqena”.

“Thoshin morale e individuale e teksti i njëjtë për secilin prej tyre”, tha Kurti duke komentuar tekstin, me të cilin kanë dhënë dorëheqje këta zyrtarë.

Kurti tha gjithashtu se “nuk është e vërtetë që në veri të Kosovës nuk ka Polici”, pas dorëheqjes së serbëve.

“Nuk ka ndërtesë të Policisë pa Polici të Kosovës. Policia jonë është atje. Edhe nëpër rrugët atje ka Polici të Kosovës”, tha Kurti.

Ai tha se vazhdimisht bën thirrje që serbët të mos largohen nga institucionet e Kosovës, mirëpo sipas tij, nuk mund të bëhet thirrje politike për kthim.

“Aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional”, tha Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 24 nëntor konfirmoi se serbët nga veriu i Kosovës do të kthehen në institucionet e Kosovës kur të plotësohet kushti i dytë, pra të formohet Asociacioni. Ky Asociacion është dakorduar në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por është i papranueshëm për Qeverinë e Kosovës, sepse e sheh atë si trup monoetnik.

Ndaj fjalimit të kryeministrit Kurti reaguan deputetë të opozitës.

Enver Hoxhaj, deputet opozitar nga Partia Demokratike e Kosovës tha se situata në veri të vendit “nuk është vetëm vakum institucional”.

“Është humnerë politike. Aktualisht, nuk ka as institucione shtetërore (në veri), as proces politik për t’i krijuar ato. Situata në veri të vendit ka qenë çdo herë komplekse, por pas 5 nëntorit (dita e nisjes së dorëheqjeve) është një kolaps shtetëror”, tha ai.

Ndërkaq, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu parti opozitare, i kërkoi Kurtit koordinim me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë.

“Kosova duhet të kërkojë marrëveshje finale, jo të mesme, jo fillestare. Duhet të flasë vetëm për njohje të ndërsjellë e jo për implikime të tjera që atakojnë edhe interpretimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe lënë hapësirë për ndonjë interpretim të ri”, theksoi ai.

Më 23 nëntor, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për targat, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Marrëveshja parasheh që Kosova të pezullojë planin për riregjistrim të makinave dhe që Serbia të mos lëshojë më targa serbe për qytetarët në Kosovë.

Osmani: Serbia ka krijuar krizë që të mos flitet për marrëveshje finale

RFE/RL

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se Serbia ka krijuar krizë në javët e fundit, në mënyrë që të mos diskutohet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të përbashkët për media me presidentin bullgar, Ruman Radev në Sofje.

“Është koha që ndërmjetësuesit e dialogut, Bashkimi Evropian, ta kuptojnë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit, përmes pjesëmarrjes”.

Sipas Osmanit, pala serbe diskuton në tavolinë me kushtëzime dhe pengesa.

“Kjo është mënyra se si ata tentojnë të bllokojnë perspektivën e Kosovës në rajon dhe në nivel ndërkombëtar. Natyrisht, është në interesin tonë që ta përmbyllim këtë dialog me një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme dhe duhet ta kuptojmë se pala që është në anën tjetër të tavolinës, nuk është e interesuar që ta përmbyllë këtë proces me sukses”.

Presidentja e Kosovës ka thënë se Serbia ka nisur të prodhojë kriza muaj më parë, kur, sipas saj, Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania, kanë dalë me një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

Propozimi që përmendi ajo – i njohur në publik si plani franko-gjerman – thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Së voni, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet atij si “propozimi i Brukselit”.

“Interesi ynë është i kundërt, pra që diskutimet të nisin sa më parë që është e mundur”, ka thënë Osmani, duke shtuar se shpreson që BE-ja t’i dërgojë mesazh Serbisë se nuk mund të bllokojë më procesin.

Ekzistenca e propozimit të BE-së është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës, edhe nga ata të Serbisë.

Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.

Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.

“Është koha që Serbia përfundimisht të vendosë se në cilin drejtim dëshiron të shkojë. Në drejtim kah Evropa, apo në drejtimin e Moskës? Nuk mund të jesh me të dyja palët”, ka thënë Osmani.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të larta qysh në verë, për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Në muajin nëntor, dy vendet kanë arritur marrëveshje për targat, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja parasheh që Kosova të pezullojë planin për riregjistrim të makinave dhe që Serbia të mos lëshojë më targa serbe për qytetarët në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

KQZ-ja certifikon 12 kandidatë për zgjedhjet në veri

RFE/RL

Dymbëdhjetë kandidatë janë certifikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovë, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahen më 18 dhjetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në mbledhjen e mbajtur më 28 nëntor, përveç certifikimit të kandidatëve dhe subjekteve politike ka emëruar edhe Komisionet Komunave të Zgjedhje.

Sipas njoftimit në Lesapoviq janë certifikuar Albulena Behluli-Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleksandar jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës.

Në Zubin Potok janë certifikuar për zgjedhje Izmir Zeqiri nga PDK-ja dhe Flatron Hasani nga LVV-ja. Në këtë komunë nuk ka kandidatë nga partitë serbe.

Në Zveçan, Ilir Peci nga PDK-ja, Fetah Peci nga LVV-ja dhe kandidatja e pavarur Sladjana Pantoviq, do të garojnë për të parin e komunës.

Ndërkaq, në Mitrovicë të Veriut do të garojnë katër kandidatë. Në këtë komunë do të garojë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, Taulant Kelmendi nga PDK-ja, Erden Atiq nga LVV-ja dhe Aleksandar Arsenijoviq nga Iniciativa Qytetare Mbijetesa Serbe.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komune në katër komunat në veri, po mbahen pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë në Prishtinë lidhur me riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, më 5 nëntor njoftoi për dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës, përfshirë ato lokale dhe qendrore.

Po ashtu, më 25 dhjetor është caktuar data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Ndërkaq, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për targat më 23 nëntor dhe sipas Bashkimit Evropian, Kosova do t’i japë fund veprimeve të mëtejme për riregjistrimin e makinave me targa serbe, ndërkaq Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

REL: Kuvendet e Shqipërisë dhe Kosovës u bënë bashkë në Tiranë, zotime për bashkëpunim

Jetmira Delia-Kaci

Për nderë të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Tiranë u zhvillua mbledhja e parë e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla tha se një bashkëpunim më i mirë mes dy vendeve i kontribuon përparimit të bashkësisë shqiptare në Ballkan si dhe e bën rajonin dhe Evropën më të qëndrueshëm.

“Kjo vetëdije e një strategjie të përbashkët vendimesh, nuk i kundërvihet asnjë bashkësie tjetër në rajon. Të shndërrojmë kufijtë në kufij formal mes nesh , por edhe me vendet fqinje të rajonit”, u shpreh Nikolla.

Ndërkaq Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës u ndal tek rreziku që vjen nga Serbia, duke kërkuar ndihmën e Tiranës zyrtare.

“Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj, që është destabilizimi i Kosovës dhe ndarja faktike e shtetit tonë, Serbia na lufton nga brenda dhe jashtë, pa zgjedhur mjete, prej diplomacisë deri te financimi dhe kontrollimi i grupeve që janë të lidhura me krimin brenda vendit tonë. Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë”, theksoi Konjufca në fjalën e tij para deputetëve shqiptarë.

Kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti u ndalën tek një shqetësim i përbashkët: nevoja për bashkëpunim dhe jo pengim i njëri-tjetrit

“Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura, ekonomia nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por kalaja e përbashkët, ku e vëmë të gjithë nga një gur. Ne duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t’i pranojmë perspektivat e ndryshme, kritikat njëri-tjetrit”, tha Kurti duke kërkuar që prioritet të jetë pozita e Kosovës dhe e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe jo pozita vetjake.

Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, shprehu të njëjtin shqetësim.

“Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt, por nga ana tjetër nuk janë më mirë në raport me vetveten”, tha Rama.

Rama foli për projektet e përbashkëta mes dy vendeve, duke u ndalur në veçanti tek porti i ri i Durrësit në Porto Romano, që do të jetë një port i përbashkët i shtrirë nga Durrësi në Prishtinë dhe në Strugë. Ai tha se më 12 dhjetor do të prezantohet publikisht ky projekt.

Ndërsa kryeministri Rama përmendi projektet e përbashkët, kryeministri kosovar Albin Kurti vuri theksin tek ajo që është shqetësim i përbashkët i të dyja vendeve, largimi i të rinjve.

Ai pranoi se akoma nuk është bërë sa duhet për t’u kthyer besimin në institucione, që të rinjtë të mendojnë rritjen e fëmijëve në atdheun e tyre, por u shpreh besimplotë se edhe kjo betejë do të fitohet së shpejti.

Mbledhjen e dy kuvendeve e përshëndetën kryetarët e grupeve parlamentare të kuvendeve, të Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë seancë të veçantë, kreu i grupit të Partisë Demokratike në Shqipëri, Enkelejd Alibeaj nuk la pa përmendur rezervat dhe kritikat për “Open Balkan”.

Ai tha se edhe nga parlamenti evropian në dokumentin e strategjisë së zgjerimit u vlerësua me rezerva kundërshtuese, si i papërputhshëm me normat evropiane dhe që nuk garanton gjithëpërfshirje.

Për këtë mbledhje që nga palët u quajt historike, në oborrin e Kuvendit ishte hapur një ekspozitë me momentet më të rëndësishme të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, si dhe ishte organizuar një koncert me këngë dhe valle popullore shqiptare.

Derisa kjo është mbledhja e parë e përbashkët e Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, qeveritë e të dyja vendeve viteve të fundit kanë organizuar disaherë mbledhje të përbashkëta të qeverive.

Aty janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje që për qëllim kanë rritjen e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në fushën e ekonomisë.

Shtatëvjeçari nga Kosova fiton vendin e parë në garën ndërkombëtare të matematikës

Molos Gashi, nxënës i klasës së dytë nga Prishtina, ka zënë vendin e parë në një garë internacionale që është zhvilluar në Dubai.

Për këtë ka njoftuar shkolla ku Molosi vijon mësimet “Mehmet Gjevori”, raporton Gazeta Express.

“Molos Gashi, nxënës i klasës ll-1, merr vendin e parë në Dubai në garën internacionale të organizuar nga BRAINOBRAIN ABACUS COMPETITION dhe me pjesëmarrjen e 44 shteteve arrin rezultat të shkëlqyer duke ngritur emrin e shtetit tonë në nivelet më të larta të dijes”, ka njoftuar shkolla.

“Molos Gashi, nxënës i klasës ll-1, merr vendin e parë në Dubai në garën internacionale të organizuar nga BRAINOBRAIN ABACUS COMPETITION dhe me pjesëmarrjen e 44 shteteve arrin rezultat të shkëlqyer duke ngritur emrin e shtetit tonë në nivelet më të larta të dijes”, ka njoftuar shkolla.

Kurti thotë se në Bruksel është arritur dakordim, por jo marrëveshje

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten, para deputetëve të Kuvendit, se të mërkurën në Bruksel nuk ka pasur marrëveshje, por dakordim për targat.

“Marrëveshja e mbrëmshme nuk është marrëveshje për targat. Ne u morëm vesh t’i ndalojmë veprimet reciproke, pra ne nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM, dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit evropian, që më herët quhej franko-gjerman”, tha Kurti në seancën plenare të 24 nëntorit.

Kosova dhe Serbia më 23 nëntor në Bruksel kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe, ku sipas BE-së, Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa me emra të qyteteve të Kosovës.

Pas arritjes së marrëveshjes për targat ilegale serbe ndërmjet dy vendeve, kryediplomati evropian, Josep Borell, paralajmëroi se në ditët në vijim do t’i ftojë liderët e të dyja shteteve në Bruksel për të diskutuar për “Propozimin e Brukselit”, të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Negociatat janë zhvilluar ndërmjet të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

 

Dy ditë më parë, takimi ndërmjet Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për targat, kishte rezultuar pa sukses.

Kurti u tha deputetëve se në takimin e së hënës i ishte ofruar një dokument me 95 fjalë, brenda të cilit propozimi franko-gjerman, apo propozimi evropian për çështjen e marrëveshjes për normalizim, nuk ka qenë i përfshirë.

Ndërsa tani, sipas tij, situata është më ndryshe, ”dhe është shumë mirë që tash gjithçka është përshpejtuar”.

“Dakordimi i mbrëmshm ka një target kryesor dhe kohor për negocim dhe pajtueshmërinë e palëve lidhur me propozimin e BE-së të mbështetur nga Franca dhe Gjermania, e ajo është sa më shpejt dhe jo më vonë sesa fillimi i pranverës së vitit 2023”, tha ai.

Sipas tij, Kosova nuk e ka pranuar asnjë referencë në një marrëveshje konkrete që të përfshihet në tekstin e marrëveshjes së 23 nëntorit.

“Kur kam qenë unë gjatë bisedimeve, të hënën, insistimi më i madh ka qenë që në dakordimin, i cili bëhet deklaratë e Borellit, të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, tha Kurti.

“Ata e shohin Asociacionin si thelb të normalizimit, ne e shohim njohjen reciproke si thelb të normalizimit dhe është dallim i madh ndërmjet së hënës dhe së mërkurës”, tha ai.

Për formimin e Asociacionit është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, beson se komunat nuk mund të organizohen sipas parimeve etnike.

Dakordimi i mbrëmshëm, tha Kurti, e vendos procesin e negocimit të planit evropian në parimin ku Serbia dhe Kosova janë palë të barabarta.

Sipas tij, një kornizë e tillë është avancim i fuqishëm në drejtim të faktit që propozimi do të jetë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht e obligueshme dhe me njohjen reciproke në qendër.

Edhe Bislimi ka thënë se pas marrëveshjes së 23 nëntorit, “ne duhet të vazhdojmë bisedimet intensive sa i përket propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”.

Presidenti serb, Vuçiq, tha në Beograd më 24 nëntor se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targa, është një fitore e vogël taktike “që do të na çojë në presion edhe më të madh”.

Ai shtoi se Beogradi nuk është i interesuar për njohje reciproke me Prishtinën.

Presidentja e Kosovës për takimin e Brukselit të 21 Nëntorit: Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit!

Znj.Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

 

Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën:

1. Shkelja e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale kriminale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e vitit 2013. Përkundrazi, këto struktura sot përkrahen, financohen e armatosen nga Vuçiq, me qëllim të sulmit ndaj Kosovës sipas stilit e planit të Putinit;

2. Moszbatimi i Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013, ku kërkohet që të dyja palët të miratojnë ligje për amnisti. Deri tani, vetëm Kosova e ka miratuar;

3. Shkelja e obligimeve nga Marrëveshja e vitit 2013, që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve, ku Serbia vazhdimisht ka nxitur sulme ndaj partive serbe që nuk konsideroheshin besnike ndaj qeverisë së Serbisë. Kjo është konfirmuar disa herë nga raportet e ekipeve të vëzhguesve ndërkombëtare të zgjedhjeve;

4. Shkelja e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, ku kërkohet që Serbia të mos e bllokojë rrugën evropiane të Kosovës;

5. Shkelja e pikave 9, 10 dhe 11 të Marrëveshjes së vitit 2013 ku është paraparë integrimi i serbëve në polici, gjyqësi, etj. Për më tepër, ditët e fundit kemi parë shkelje flagrante të kësaj marrëveshjeje me nënshkrimin e kontratave me institucionet ilegale të Serbisë dhe asnjë reagim të BE-së;

6. Bllokimi i zbatimit të marrëveshjes për energji për gati 10 vite;

7. Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, nëpërmjet ndalesave, të cilat Serbia ua bënë shumë zyrtarëve e qytetarëve të Kosovës të të gjitha profileve që të hyjnë në Serbi, mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Kosova, etj;

8. Moszbatimi i marrëveshjes për drejtësinë, nëpërmjet vendosjes së vulave në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës me mbishkrimin “Republika e Serbisë –Kosova dhe Metohija –nën administrimin e OKB-së dhe Rezoluta 1244.”;

9. Moszbatimi i Marrëveshjes për Zyrat Ndërlidhëse duke mos lejuar zgjerimin e stafit të zyrave ndërlidhëse ashtu siç ishin marrë vesh palët;

10. Shkelja e marrëveshjes për dogana, ku Serbia ende përdorë vulat paralele doganore etj;

11. Shkelja e marrëveshjes për kadastra, ku nuk ka asnjë përparim në obligimet që i ka Serbia për t’i dorëzuar dokumentet origjinale të kadastrave;

12. Shkelja e marrëveshjes për diploma, në të cilën poashtu nuk ka asnjë përparim nga ana e Serbisë;

13. Shkelja e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme duke bllokuar qarkullimin e automjeteve;

14. Shkelja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal, duke tentuar të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës e duke keqinterpretuar marrëveshjen për fusnotën në thuaja secilin organizim rajonal apo të Bashkimit Evropian, qofshin ato takime të nivelit qeveritar, parlamentar apo të tjera;

15. Shkelja e obligimeve për funksionalizimin e pikave kufitare;

Lista është më e gjatë se kaq.

Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj.

21 Nëntor 2022 Qeveria e Republikës së Kosovës Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit Kurti pas takimeve në Bruksel

Qeveria e Republikës së Kosovës

Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit Kurti pas takimeve në Bruksel:

Patëm sot tri takime trilaterale dhe tri takime bilaterale përgjatë tetë orëve këtu në Bruksel, me presidentin e Serbisë në ndërmjetësimin apo lehtësimin e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell dhe emisarin special për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, z. Miroslav Lajcak.

Gjatë këtyre takimeve u diskutua në njërën anë çështja marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në anën tjetër çështjet aktuale sepse kjo është mënyra se si nga takimi i 18 gushtit që kemi pasur këtu në Bruksel organizohen bisedimet në vijim. Pra, një herë marrëveshja finale dhe më pastaj edhe çështjet aktuale. Kur kemi ardhur në Bruksel kemi ardhur me një propozim konkret për një deklaratë të përbashkët, e cila nënkuptonte në paragrafin e parë zotimin që të trajtohet me urgjencë propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë këtyre takimeve që kemi pasur sot, kemi qenë afër dakordimit, mirëpo assesi nuk u pranua nga pala serbe çështja e propozimit të Bashkimit Evropian, sepse ata nuk e konsiderojnë atë propozim si bazë të mirë për të zhvilluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, siç këtë e bënë Qeveria e Republikës së Kosovës. Kemi qenë afër dakordimit në kuptimin që ne ishim pajtuar, që fazën në vijim të zbatimit të vendimit tonë për çështjen e konvertimit të targave nga ato ilegale në të Republikës së Kosovës ta pezullojmë, pra gjobat, të vazhdojmë vetëm me ato qortimet, ndërkaq në anën tjetër Serbia të pushojë me emitimin, me prodhimin, me lëshimin e targave në Serbi që kanë për denominim qytetet e Kosovës.

Por, natyrisht kjo për neve nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet edhe me atë se për çfarë jemi ftuar, pra dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. E në propozimin që na e kanë sjellë neve, për deklaratën e përbashkët z. Borrell dhe Lajçak, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra që ne po vijmë këtu, në Bruksel, për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023. Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, z. Josep Borrell, praktikisht hoqi dori nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po them me keqardhje, sepse vet e kanë propozuar marsin e vitit 2023, dhe në anën tjetër gjithashtu propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris, në kuadër të Forumit për Paqe, z. Joseph Borrell tha që propozimi nuk është franko-gjerman, propozimi është i Bashkimit Evropian por i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Në rregull pra, edhe ne ashtu do ta quajmë, propozimi i Bashkimit Evropian. Mirëpo sot, po them me keqardhje ai hoqi dorë nga propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë jam i gatshëm që të vijë këtu, të zhvillojë takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë; marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve që ka njohjen reciproke në qendër, dhe çështjet aktuale që janë të natyrave të ndryshme, edhe si puna e këtyre targave. Mirëpo, nuk bën njëra pa tjetrën. Pra, nuk mund të jemi të papërgjegjshëm të mos i trajtojmë çështjet aktuale, por edhe nuk mund të shndërrohem në lider shtetëror që merren vetëm me çështje të targave, e nuk diskutojmë për normalizim të marrëdhënieve. Andaj, edhe jemi në këtë situatë çfarë ndodhemi tani dhe unë shpresoj që Bashkimi Evropian do të gjejë forcën që t’i rri prapa propozimit të vet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë pas tetë orë bisedimesh, në gjashtë takime gjithsej, tri bilaterale dhe tri trilaterale, nuk kemi ende një marrëveshje.

Faleminderit shumë.

Besian Mustafa e përkujton me fjalë prekëse babanë e tij në 22 vjetorin e vrasjes

Deputeti i LDK’së, Besian Mustafa e ka kujtuar babanë e tij të ndjerë, Xhemail Mustafën në 22-vjetorin e vrasjes së tij.

Deputeti i LDK’së përmes një shkrimi në Facebook tha se e përkujton gjithmonë babanë e tij kur diskutonin mbi historinë shqiptare.

“Bab, të kujtoj kështu të përhumbur në mendime të thella kur papritmas fikje cigaren dhe vazhdonim diskutimin mbi historinë shqiptare, aty ku e kishim lënë javë më parë… Të kujtoj si i nxitur nga historia e kombit tonë me urgjencë e këmbëngulje të bashkëthemeloje një lëvizje që buronte nga populli, për popullin. Një lëvizje për të nxjerrë popullin shqiptar në Ballkan nga errësira dhe për ta orientuar në drejtim e saj të natyrishëm euro-atlantik. Një lëvizje që bashkonte të gjithë shqiptarët drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë”.

Ai po ashtu tha se kur do ta sheh babanë e tij përsëri do ta vazhdojmë diskutimin mbi historinë e kombit shqiptar, aty ku thotë se e lanë 22 vite më parë.

“Të kujtoj si misionar që pikëpamjet tona të ndryshme politike, fetare, socio-ekonomike, etj. i bashkonte në përballjen tonë kombëtare me fatin e ligë që kishim pasur. Ky mision yti mbetet yll polar për jetën time.

Kur të të shoh përsëri do t’vazhdojmë diskutimin mbi historinë e kombit tonë… aty ku e lam 22 vite më parë”.

Deklarata e Kryeministrit të Kosovës z.Albin Kurti pas takimit të Brukselit: Me keqardhje Josep Borell hoqi dorë nga propozimi i BE !

Deklarata e Kryeministrit të Kosovës z.Albin Kurti pas takimit të Brukselit: Me keqardhje Josep Borell hoqi dorë nga propozimi i BE !

Policia: Gjobitja për shoferët me targa ilegale serbe nis nga 22 nëntori

RFE/RL

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se edhe më datën 21 nëntor do të vazhdojë masa e qortimit të shoferëve me targa ilegale serbe, ndërkaq më 22 nëntor nis shqiptimi i gjobave.

Shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh, sipas Policisë do të zgjatë deri me 21 janar 2023.

Deri më 20 nëntor janë shqiptuar rreth 1.740 qortime, për shoferët e makinave me targa ilegale serbe.

Për çështjen e planit të qeverisë për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës, të hënën në Bruksel pritet të zhvillohet një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq kanë konfirmuar takimin.

Serbët në komunat veriore të Kosovës kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjoba, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e qeverisë për targa.

Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj nga 1 nëntori. Plani për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia ka paraparë tri faza .

Faza e parë përfshiu qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.

Vendimi për targat ka tensionuar situatën në veri të Kosovës.

Të mbështetur nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në veri kundërshtojnë këtë proces dhe insistojnë në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës – nisur nga policia deri te Kuvendi dhe Qeveria.

Nga Italia dhe Polonia trupa të EULEX-it zbarkojnë në veri të Kosovës

Në Kosovë së fundmi zbarkuan trupa të EULEX-it nga Italia e Polonia, të cilët po patrullojnë në komunat veriore të vendit. Ndërkohë, serbët e Kosovës kanë paralajmëruar se me shqiptimin e gjobës së parë, do të nisin rezistencën, duke mos treguar në çfarë forme, njofton RTK.

Nuk kanë mbetur edhe shumë orë deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për shqiptimin e gjobave për qytetarët që në veturat e tyre bartin targa ilegale, KM në vend të atyre legale, RKS.

Derisa qytetarët serbë vazhdimisht kanë përsëritur se nuk pajtohen me zëvendësimin e targave, Qeveria e Kosovës  është shprehur e vendosur në zbatimin e këtij vendimi.

E serbët lokalë kanë paralajmëruar se me shqiptimin e gjobës së parë, do të nisin rezistencën, duke mos treguar në çfarë forme.

Pikërisht, kundërshtimi për shqiptimin e masave bëri që drejtori i policisë në veri të shkarkohet, që pasoi me dorëheqjen e kryetarëve të komunave, policëve, gjyqtarëve e prokurorëve, asamblistëve, doganierëve e shumë zyrtarëve të tjerë serb.

Duke parë situatën, në Kosovë së fundmi zbarkuan trupa të EULEX-it nga Italia e Polonia, të cilët po patrullojnë në komunat veriore.

E komandanti i 25 karabinierëve italian që erdhën së fundmi në Kosovë, Mariano Bastanza thotë se tani po monitorojnë situatën.

“Ne jemi këtu për të mbështetur mandatin e misionit të EULEX-it që do të thotë të ndihmojmë të gjitha autoritetet dhe popullin e Kosovës për të përmirësuar gjendjen e tyre aktuale, e cila mbetet e ndjeshme, veçanërisht në veri”, thotë Mariano Bastanza, komandant italian. “Po, le të themi se duhet vetëm të monitorojmë, deri tani, situatën”.

Ai thotë se po e mbështesin Policinë e Kosovës.

 

“Sepse ne kemi disa informacione se çfarë po ndodh dhe situata është ende e ndjeshme”, tregon Bastanza. “Ne jemi këtu për të mbështetur, në thelb, policinë e Kosovës – dhe autoritetet. Këshillimi i tyre dhe monitorimi i situatës – ky është mandati ynë deri më tani”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po përpiqen për të gjetur një zgjidhje para të hënës kur edhe hyn në fuqi masa e shqiptimit të gjobave për qytetarët me targa ilegale.

Për këtë, të premten, BE ftoi në një takim palën kosovare dhe atë serbe. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas paralajmërimeve, pritet të takohen të hënën në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për të gjetur zgjidhje në lidhje me këtë çështje.

Chollet bisedon me Kurtin për shtyrjen e gjobave për targat

RFE/RL

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha të premten në mbrëmje se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “shmangien e përshkallëzimit të mëtejmë, shtyrjen e gjobave për targat, mbajtjen e derës së hapur për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe përqendrimin në bisedimet për normalizimin e raporteve me Serbinë”.

Chollet shkroi në Twitter se kjo është “rruga më e mirë për çuarjen përpara të integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”.

Më herët të premten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Twitter se ka biseduar me Chollet “për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje të plotë të normalizimit me Serbinë me njohjen e ndërsjellë në qendër, me përqendrim në situatën e sigurisë në Kosovë së bashku me sundimin e ligjit”.

Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targa RKS, Republika e Kosovës, në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar.

Nga 1 nëntori Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave. Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme. Më 21 nëntor pritet të hyjë në fuqi faza e dytë – shqiptimi i gjobës prej 150 eurosh.

Serbia, si dhe popullata lokale serbe në veri janë duke e kundërshtuar këtë vendim dhe insistojnë në targa neutrale – KS.

Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se 21 nëntori “nuk duhet të na gjejë pa marrëveshje për targat” dhe situatën aktuale të krijuar për targat e ka konsideruar si “krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit”.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar që “së shpejti” të shkojnë në Bruksel për të gjetur zgjidhje për targat ilegale serbe.

Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, palët janë ftuar për të diskutuar të dielën pasdite, ose më së voni të hënën në mëngjes.

As Qeveria e Kosovës, as Presidenca e Serbisë, nuk kanë konfirmuar nëse do të jenë pjesë e takimit.

Por, zhvillimin e negociatave e ka konfirmuar edhe Kurti më 18 nëntor.

Ai ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është në komunikim të vazhdueshëm me Brukselin për ta zgjidhur çështjen e targave.

Sipas tij, në ditët në vijim do të shihet nëse do të kenë sukses negociatat e reja.

Si po zëvendësohen serbët e dorëhequr nga institucionet e Kosovës?

Ish-kryetarja e Gjykatës Liliana Stevanoviq dhe anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nikolla Kabashiq me gjyqtarë dhe punëtorë administrativ pasi kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Doruntina Baliu

Institucionet e ndryshme në Kosovë kanë nisur punën në mbulimin e detyrave të qytetarëve serbë që u dorëhoqën masivisht.

Qindra qytetarë serbë të Kosovës, kryesisht nga katër komunat veriore të vendit, kanë hequr dorë nga pozitat e tyre në institucionet e Kosovës që nga 7 nëntori, në kundërshtim të vendimit për riregjistrimin e targave të veturave.

Dorëheqjet u dorëzuan në institucione si Policia, Gjykata e Prokuroria, Dogana e të tjera.

Edhe përfaqësuesit politikë në nivel lokal u dorëhoqën duke çuar në nevojën për zgjedhje të parakohshme në katër komuna të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Po ashtu, edhe 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës u dorëhoqën. Zëvendësimi i tyre u bë të mërkurën, më 17 nëntor.

Radio Evropa e Lirë ka mbledhur të dhëna nga institucionet, të cilat janë përballur me dorëheqje të stafit në lidhje me shifrat e dorëheqjeve dhe planet për zëvendësimin e këtyre punëtorëve.

Deri më tani, sipas të dhënave nga institucionet nuk janë hapur konkurse për plotësimin e vendeve nga jashtë, por në shumicë janë bërë rialokime të stafit ekzistues për pozitat që kanë mbetur të zbrazura.

Policia: Zëvendësim gradual

Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media, më 7 nëntor, deklaroi se dorëheqjen e kanë dorëzuar 578 zyrtarë policorë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës ka thënë se pas dorëheqjeve “do të rriten gradualisht kapacitetet policore me zyrtarë të rendit publik, në numër të mjaftueshëm duke u bazuar në nevojat dhe vlerësimet operacionale”.

Ata nuk kanë sqaruar më tej se a do të hapin konkurs të ri në një të ardhme të afërt për zëvendësimin e policëve në atë zonë.

“Policia ka kapacitete të mjaftueshme policore dhe veprimet do t’i ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve në të gjitha rastet që paraqiten”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Prokuroria: Transfere prokurorësh

Dhjetë prokurorë e 22 punëtorë të administratës, më 7 nëntor dhanë dorëheqje ga Prokuroria.

Kjo Prokurori përfshin territorin e Mitrovicës së Jugut, të Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë.

Ismet Ujkani, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, tha për Radion Evropa e Lirë se dorëheqjet nga ky institucion, “e kanë bërë më të vështirë punën”.

Ai ka treguar se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) që është përgjegjës për rekrutimet e prokurorëve, e ka ndihmuar këtë prokurori me transfere nga jashtë.

“Aktualisht, janë transferuar tre prokurorë prej prokurorive tjera. Prej Prokurorisë së Ferizajit një dhe prej Prokurorisë së Prishtinës”, ka thënë Ujkani.

Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se a do të ketë konkurs për zëvendësimin e prokurorëve, duke thënë se “për çdo veprim që do të merret në lidhje me situatën e krijuar, opinioni publik do të njoftohet me kohë”.

Çfarë thotë ligji për dorëheqjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve?

Me dorëheqjen eventuale të gjykatësve dhe prokurorëve, atyre edhe ligjërisht u përfundon mandati.

Për të krijuar efekte juridike, dorëheqja e një prokurori apo gjyqtari fillimisht duhet të miratohet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe përkatësisht Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Pas kësaj, Këshilli e dërgon vendimin për lirimin nga puna e gjyqtarit te Presidenca e Kosovës.

Presidenca, brenda 30 ditësh duhet të nxjerrë dekretin për lirimin nga detyra e prokurorit.

E njëjta procedurë vlen edhe për dorëheqjet e gjyqtarëve.

Gjyqësori: Riorganizim stafi brenda gjykatës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes se sa është numri total i të dorëhequrve nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Megjithatë, Bekim Veliqi, nënkryetar i Gjykatës në Mitrovicë tha për REL-in se numri i të dorëhequrve nga gjykata dhe degët e saj arrin në 130.

“I gjithë stafi (serb) që ka qenë, të gjithë kanë dhënë dorëheqje”, tha Veliqi.

Ndër të dorëhequrit është edhe kryetarja e kësaj gjykate, Lilana Stevanoviq.

Nënkryetari Veliqi tha për REL-in se aktualisht kanë bërë vetëm riorganizim të brendshëm për të mundësuar funksionimin e gjykatës.

“Ne jemi riorganizuar vetë si gjykatë, sipas obligimit që na ka rrjedhë nga mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Gjyqësor të Kosovës më 7 nëntor. Kemi bërë lëvizje të gjyqtarëve brenda gjykatës”, sqaroi Veliqi.

Ai theksoi se KGJK-ja e ka caktuar një koordinator që në komunikim me Gjykatën e Mitrovicës, do të përcaktojnë nëse duhet t’i transferojnë lëndët nëpër gjykata të tjera të Kosovës.

“Ne, si gjykatë, jemi të ngarkuar me lëndë të krimeve të rënda. I kemi diku 1400 raste në krime të rënda”, tregoi Veliqi.

Serbët ishin integruar në sistemin e drejtësisë dhe atë të rendit, pasi Kosova dhe Serbia më 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, kishin arritur marrëveshje për një gjë të tillë.

Dogana rialokoi stafin

Me dorëheqje u përball edhe Dogana e Kosovës, nga zyrtarë që punonin në zonat kufitare Kosovë- Serbi në Jarinjë dhe Bërnjak, në veri të Kosovës.

Nga Dogana i kanë thënë REL-it se 11 zyrtarë janë dorëhequr.

“Nëntë nga këta zyrtarë janë të nacionalitetit serb dhe dy boshnjakë”, thuhet në përgjigjen e Doganës.

Sipas përgjigjes së tyre, Dogana ka alokuar staf shtesë në pikëkalimet kufitare për t’i zëvendësuar personat e larguar.

As Dogana nuk i është përgjigjur pyetjes nëse pritet të hapet konkurs për zëvendësimin e zyrtarëve të dorëhequr.

*Video: Dyer të hapura dhe institucione boshe në komunat në veri

KQZ: Ende nuk dihet si do të zëvendësohen të dorëhequrit

Në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), për secilën komunë caktohet nga një udhëheqës i asaj që quhet Komision Komunal i Zgjedhjeve (KKZ).

Sipas Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, KKZ-ja është organ përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore brenda territorit të komunës.

KKZ-të përbëhen nga kryesuesi që është i punësuar nga KQZ-ja, si dhe anëtarët që nominohen nga subjektet politike që kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet nacionale, nëse i nënshtrohen pragut zgjedhor.

Në vazhdën e dorëheqjeve, në katër komunat e veriut, dorëheqje dhanë edhe katër kryesuesit e KKZ-ve në ato katër komuna.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke e trajtuar këtë çështje dhe së shpejti do të kemi një njoftim se si do të procedojmë në këtë drejtim”, kanë thënë nga KQZ-ja për REL-in.

KQZ-ja tha se gjithashtu, është në fazën e ndërtimit të trupave zgjedhore, konkretisht Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

“Për këtë qëllim, KQZ-ja u ka dërguar ftesë subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që t’i dorëzojnë propozimet e tyre për nominimin e anëtarëve në këto komisione komunale deri më 20 nëntor, në orën 16:00”, thuhet ndër tjerash në përgjigjen e KQZ-së.

Kuvendi i Kosovës

Procedura e zëvendësimit ka përfunduar për dhjetë deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – të cilët dhanë dorëheqje në javën e parë të nëntorit.

Të mërkurën, dhjetë deputetë të rinj janë betuar në Kuvendin e Kosovës duke marrë mandatet për të zëvendësuar deputetët e dorëhequr.

Në Kuvendin e Kosovës u betuan nëntë deputetë të Listës Serbe që janë: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Olivera Zdravkoviq nga Lista Serbe.

Ndërkaq mandat mori edhe Cvetko Velkoviq nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Lista Serbe tha të mërkurën se nëntë deputetët e rinj të kësaj partie u betuan në Kuvendin e Kosovës për të “verifikuar teknikisht mandatet e tyre” dhe “për t’i mbajtur ato në duar të sigurta”.

“Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë, me të cilat janë shuar të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Komunat e Kosovës në zgjedhje

Presidentja e Kosovës ka shpallur zgjedhjet lokale për katër komunat veriore të vendit, që do të mbahen më 18 dhjetor.

Në valën e dorëheqjeve të serbëve ishin edhe Zoran Todiq, kryetar i Leposaviqit, Srdjan Vuloviq, kryetar i Zubin Potokut, Dragisha Milloviq, kryetar i Zveçanit, si dhe Millan Radojeviq, kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Dorëheqje dhanë edhe anëtarët e kuvendeve komunale nga Lista Serbe që janë shumicë në secilën prej katër komunave veriore.

Ligji për zgjedhje parasheh që secili anëtar i Kuvendit Komunal që jep dorëheqje, duhet të zëvendësohet, por institucionet nuk kanë sqaruar se si do të bëhet zëvendësimi i këtyre mandateve tani për tani.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje se sa shërbyes civilë brenda këtyre administrative komunale janë dorëhequr dhe si pritet të vazhdojë funksionimi i tyre tutje.

ATK-ja dhe AVUK-i pa dorëheqje

Jo të gjitha institucionet kosovare që kanë të punësuar të komunitetit serb nga komunat veriore, u përballën me dorëheqje.

Administrata Tatimore e Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka gjithsej 16 të punësuar nga komuniteti serb në zonën e Mitrovicës së Veriut.

“Prej tyre, tetë janë inspektorë në drejtorinë rajonale të ATK-së në Mitrovicë, si dhe tetë të tjerë në Departamentin e Mbledhjes së Detyrueshme në Prishtinë”, ka thënë ATK-ja.

Megjithatë, ky institucion deri më tani nuk ka pranuar asnjë dorëheqje.
“Në rast se do të kemi dorëheqje, do të tentojmë të mobilizohemi, duke zëvendësuar me inspektorë nga regjionet tjera, në mënyrë që mos të kemi ndalim të aktiviteteve”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se ka të punësuar 17 zyrtarë të komunitetit serb dhe prej tyre “14 janë nga komunat veriore”.

“Deri më tash nuk kemi pranuar asnjë njoftim apo paralajmërim për dorëheqje nga ana e tyre”, ka thënë AUV për Radion Evropa e Lirë.

“Problemi që kërkon zgjidhje politike”

Albert Krasniqi, nga Organizata Demokraci Plus (D+) mendon se zëvendësimi i të larguarve nga institucionet e Kosovës dhe sidomos në nivel politik, duhet të bëhet me kujdes.

“Është vështirë tani që institucionet e Kosovës të gjejnë zgjidhje përmes një rruge juridike sepse i gjithë ky problem kërkon një zgjidhje politike, në mënyrë që përfaqësimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës të jetë përmbajtësor”, thotë ai.

Krasniqi thotë se në strukturat e sigurisë si dorëheqjet në Polici, “‘do të jetë një proces më i gjatë i zëvendësimit”.

Ndërkohë, sipas Krasniqit, ftesa për serbët që t’i marrin ulëset në përfaqësim politik sikurse në Kuvendin e Kosovës, duhet bërë duke pasur parasysh edhe sigurinë e tyre.

“Në institucionet tjera si në Kuvendin e Kosovës, është me rëndësi që edhe ata që i marrin këto ulëse, të mos përballen me presion”, thotë ai.

Ndërkohë, Lista Serbe – e vlerësuar si partia kryesore e serbëve në Kosovë – tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e shpallura për katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Dushan Radakoviq, nga organizata joqeveritare Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike, për REL-in ka thënë më 15 nëntor se zgjedhjet parakohshme në veri mund të organizohen, porse ato nuk do të kenë legjitimitet pa pjesëmarrjen e komunitetit serb.

Dorëheqjet e serbëve erdhën në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

 

Qeveria e Kosovës nga 1 nëntori ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targa RKS, Republika e Kosovës.

Faza e dytë do të zbatohet nga 21 nëntori dhe parasheh gjoba deri në 150 euro për të gjithë shoferët e automjeteve me targa ilegale serbe.

Analistët: Koha për Qeverinë Kurti t’i dëgjojë aleatët

Luljeta Krasniqi – Veseli

Shtyrja e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe do t’i ulte tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe do të siguronte marrëveshje finale mes tyre, thonë analistë të çështjeve politike në Kosovë.

Partitë opozitare, ndërkohë, i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me këtë çështje.

Por, me gjithë thirrjet e SHBA-së dhe BE-së për ta shtyrë vendimin për targat për dhjetë muaj, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e tij në faza më 1 nëntor.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme; e dyta gjobën prej 150 eurosh dhe e treta shpërndarjen e targave të përkohshme.

Nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.

SHBA-ja dhe BE-ja i kanë kërkuar Qeverisë që të mos nisë zbatimin e fazës së dytë nga 21 nëntori.

Kjo, pasi vendimi për targat ka tensionuar situatën në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.

Shumica e tyre i kundërshtojnë targat RKS, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës – nisur nga policia deri te Kuvendi dhe Qeveria.

Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se shteti i Kosovës është në krizë.

Bashkimi Evropian, në anën tjetër, është në pritje të përgjigjes së Kosovës për një propozim të ri lidhur me çështjen e targave të paligjshme serbe.

 

I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ia ka prezantuar këtë propozim kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, gjatë takimit të tyre të martën në Bruksel.

Bislimi tha të mërkurën se “ka elemente që i kemi diskutuar për mundësinë për dalje nga kriza, por nuk ka dakordim”.

Ai tha se nuk e di se çka do të ndodhë më 21 nëntor, sepse “jemi në bisedime”.

Shtyrja e vendimit ul tensionet në veri

Analistët politikë thonë se Qeveria e Kosovës duhet t’i trajtojë Shtetet e Bashkuara si partnere strategjike dhe t’i marrë parasysh kërkesat e tyre.

Donika Emini, drejtore ekzekutive në platformën CiviKos, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo vendim i Kosovës do të ishte mirë të merrej në mënyrë të koordinuar jo vetëm me SHBA-në, por edhe me BE-në.

“Do të duhej të diskutohej se çka ka SHBA-ja në plan të bëjë gjatë periudhës 10-mujore. Nëse [kjo periudhë] është për ta përgatitur terrenin dhe Kosovën për marrëveshje finale [me Serbinë], atëherë do të ishte mirë që Kosova ta diskutonte në mënyrë strategjike atë plan”, thotë Emini.

Afati prej dhjetë muajsh, shton Emini, ka mundur të hapte një derë për Kosovën që t’i zgjidhte përfundimisht problemet me Serbinë.

Dy vendet, me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Pritjet janë që ato të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Por, pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura, qëndrimet e dy palëve mbeten larg.

Emini thotë se tensionet që ka krijuar çështja e targave, e kanë sjellë Kosovën në periudhën e paradialogut me Serbinë.

“Po duket që kryeministri Kurti, i cili nuk i ka negociuar deri tash marrëveshjet me Serbinë dhe ka qenë i pakënaqur me ato marrëveshje, sikur po e kthen në pikën zero [dialogun], për ta filluar dhe për ta udhëhequr vetë, siç dëshiron vetë”, thotë Emini.

Sipas saj, nuk zhbëhet një proces, i cili është zhvilluar mbi dhjetë vjet.

Ajo thotë se marrëveshjet e arritura me Serbinë gjatë viteve, duhet të zbatohen, pasi Kosova është zotuar për zbatimin e tyre.

Sipas Eminit, Kosova nuk mund të kthehet në pikën zero, sepse, siç thotë, “nuk dihet se si do të jetë elita politike në SHBA pas dy vjetësh” dhe “nuk dihet se si do të jetë BE-ja pas luftës në Ukrainë”.

“Humbja e këtij momentumi është e dëmshme për Kosovën dhe nuk po duket që ka ndonjë plan B, përveç bllokadës. Kjo i kushton shumë më shumë Kosovës sesa Serbisë”, konsideron Emini.

Situata e tensionuar në veri nuk zgjidhet pa marrëveshje

Drejtori i organizatës joqeveritare, Çohu, Arton Demhasaj, thotë se situata e krijuar pas fillimit të zbatimit të planit për targa dhe largimit të serbëve nga institucionet, do të pamundësojë funksionimin normal në pjesën veriore të Kosovës.

 

Sipas tij, as zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri – të cilat u caktuan për datën 18 dhjetor, pas dorëheqjes së kryetarëve të deritashëm serbë – nuk do të mund të realizohen pa u arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Duke parë situatën momentale, mendoj se Qeveria duhet të reflektojë dhe t’i marrë parasysh kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, sidomos të Uashingtonit, dhe ta shtyjë zbatimin e vendimit për targa për aq kohë sa është kërkuar nga SHBA-ja”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.

Shtyrja e zbatimit të vendimit për targa, thotë ai, është mundësi për të arritur marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe, njëkohësisht, të mos ketë tensione më të mëdha në veri.

Opozita: Kurti po merret me çështje teknike

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, njëherësh nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, thotë për Radion Evropa e Lirë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër, do të ishte shumë më e rëndësishme dhe e vlefshme sesa çështja e targave.

“Në kohën kur aleatët tanë strategjikë po na kërkojnë ta shfrytëzojmë momentumin gjeopolitik për të arritur marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti ka degraduar procesin dhe po vazhdon të merret me çështje teknike… Nëse asgjë tjetër, lufta në Ukrainë – agresioni i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë – na ka mësuar se aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti”, thotë Çitaku, duke shtuar se Kurti ka zgjedhur t’i injorojë rekomandimet e aleatëve amerikanë.

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti tjetër në opozitë, ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA. Në një postim në Facebook të martën, ai shkroi se ka biseduar me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për situatën në Kosovë.

Abdixhiku tha se ka shprehur shqetësimin e tij për shkallën, në të cilën, siç u shpreh, “institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane”.

Sipas Abdixhikut, koordinimi i ngushtë i institucioneve të Kosovës me SHBA-në dhe me partnerët tjerë është garanci për kapërcimin e të gjitha sfidave.

Ditë më parë, lideri i partisë tjetër opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, paraqiti një rezolutë prej pesë pikash për, siç tha, situatën e krijuar në veri të Kosovës nga vendimi i Qeverisë për targat.

Pikë e parë e kësaj rezolute, e cila pritet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës, Haradinaj tha se është shtyrja e menjëhershme e vendimit për targa deri në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është nga më të rëndat në këta 22 vjet [pas luftës]”, tha Haradinaj.

Serbët në veri kanë nisur të marrin pjesë në institucionet e Kosovës pas marrëveshjes së parë që kanë arritur Kosova dhe Serbia për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2013.

Lista Serbe, partia që deri më tash ka mbajtur pushtetin në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – ka thënë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit, të shpallura nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

KQZ: Kryetarët në Veri mund të zgjedhen edhe me pjesëmarrje të ulët të votuesve

Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët ose jo të votuesve në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore, mund të zgjidhen kryetarët e rinj në katër komunat e Kosovës, si në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Kështu çfarëdo rezultati në zgjedhjet e 18 dhjetorit, ato do të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës.

Pas braktisjes së institucioneve të Kosovës, qëndrimi zyrtar i Listës Serbe deri më tani është se ky subjekt nuk do të merr pjesë në këto zgjedhje. Po kështu skeptike janë shprehur edhe subjektet tjera politike nga komuniteti serb.

Megjithatë, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në bazë të ligjeve në fuqi as çështja e numrit të kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje nuk është e kufizuar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për KosovaPress se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligji për zgjedhjet lokale nuk e kufizojnë se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje në një komunë në mënyrë që rezultati të mund të certifikohet nga KQZ-ja.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligji për zgjedhjet lokale nuk e kufizojnë se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në një komunë të caktuar, në mënyrë që pastaj rezultati të mund të certifikohet nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Elezi.

Zëdhënësi Elezi bëri të ditur se për zgjedhjet në veri, fletëvotimi për zgjedhjen e një kryetari mund të ketë edhe vetëm një kandidat.

“As çështja e numrit të kandidatëve të certifikuar nuk është e kufizuar në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe as në Ligjin për zgjedhjet lokale. Pra, fletëvotimi mund të ketë edhe vetëm një kandidat, i cili certifikohet nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të një komune të caktuar”, tha ai.

Elezi si shembull përmend zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, për kryetar të komunës së Ranillugut ku ka pasur vetëm një kandidat në fletëvotim.

“Rast të tillë ne kemi pasur në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, pra për zgjedhjet për kryetar të komunës së Ranillugut, kemi pasur vetëm një kandidat në fletëvotim”, thekson ai.

Pas dorëheqjeve të katër kryetarëve nga radhët e komunitetit serbë në katër komunat veriore, presidentja e Kosovës ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme më 18 dhjetor për Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan./KP

Liberalizimi i vizave për Kosovën- Nuk kalon propozimi i Çekisë, e kundërshton Spanja

Pasditen e 16 nëntorit skadoi afati për vendet e BE-së që me të ashtuquajturën procedurë të heshtur, t’i paraqesin vërejtjet e tyre në propozimin e Çekisë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Nga burimet diplomatike në Bruksel mësohet se “së paku dy shtete” e ndërpenë këtë procedurë dhe penguan që propozimi të marrë dritën e gjelbër.

Sipas burimeve, Spanja ishte ajo që paraqiti vërejtje, ndërsa disa shtete të tjera kërkuan më shumë sqarime.

Propozimi i Çekisë, vend që aktualisht udhëheq Presidencën e BE-së, ishte që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhej me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS, siç kërkoi Franca, por njëherësh të caktohej edhe data e fuqizimit të vendimit: “jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023”.

Burimet diplomatike, megjithatë, thonë se situata e krijuar nuk do të thotë se propozimi çek nuk do të kalojë as në të ardhmen.

Tani pritet që Presidenca çeke, në takime dypalëshe me vendet që paraqitën vërejtje, t’i sqarojë disa çështje teknike.

Sipas burimeve, po ashtu synohet që propozimi të kalojë në nivel më të lartë, atë të ambasadorëve, para fundit të këtij viti.

Spanja, e cila do të marrë udhëheqjen e Presidencës së BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2023, sipas burimeve, do të preferonte që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të shtyhet për një muaj, përkatësisht më 1 janar të vitit 2024. Arsyet për këtë nuk janë të qarta.

Diplomatët në BE, megjithatë, besojnë se Presidenca çeke, gjatë dy javëve të ardhshme, do të arrijë pajtimin e vendeve anëtare për miratimin e propozimit të saj.

Mësohet se edhe Sllovakia – që sikurse Spanja nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës – kërkoi “disa sqarime” rreth propozimit çek./REL/

“Lulja e Vlorës” e Anna Kohen prezantohet në Prishtinë Nga Iliriana Pylla

 

“Lulja e Vlorës”, thotë ajo, është një dhuratë për brezat e ardhshëm të familjes, dhe një mënyrë për të nderuar familjen shqiptare që strehoi familjen e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kështu më tha Anna, në shtrëngimin e parë të duarve që kishim në hapësirat e bibliotekës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, gjatë promovimit të librit të saj, ” Lulja e Vlorës”.

Me një shqipe të rrjedhshme, të pastër dhe me një shikim prej gruaje fisnike e filantrope, Anna e konsideron veten hebreje shqiptare.

“Mendova për nipërit e mbesat e mia, doja që ata të dinin se prej nga vij, historinë e jetës sime, sepse mua vetë nuk më kishin lënë kujtime, nuk më kishte thënë askush asgjë për gjyshërit, të cilët u vranë dhe u morën gjatë Holokaustit nga Janina e Greqisë. Pra doja që fëmijët dhe nipërit dhe mbesat e mia të dinin të gjithë historinë. Prandaj fillova të shkruaj historinë time për nipërit dhe mbesat e mia”, tha zonja Kohen para audiencës në Prishtinë.

“Unë, vajzë hebreje në Shqipëri, isha shumë krenare. Shoqet e mia më të ngushta, ishin njëra e krishterë dhe tjetra myslimane. Komunikonim shumë mirë me njëra-tjetrën edhe pse kishim besime të ndryshme. Por ne, hebrenjtë e Vlorës e praktikonim fenë tonë fshehtas Sigurimit. Neve shteti shqiptar kurrë nuk na dha nënshtetësinë”, vijoi ajo, gjatë prezantimit.

“Megjithatë, Vlora është qyteti im i lindjes. Vlora është e bukur dhe ka një histori me hebrenjtë që përmendet në libër dhe që shumë njerëz mund të mos e njohin. Unë kam lindur në Shqipëri dhe e konsideroj veten një hebre shqiptaro-greke. Nuk mund ta harroj se çfarë bëri familja Lazaj për familjen time dhe hebrenjtë tjerë në Shqipëri”, thotë Anna mes emocioneve.

Libri “Lulja e Vlorës” është autobiografi e një autoreje hebreje e lindur në Vlorë dhe historia e një familje hebreje në Shqipërinë komuniste. Libri ndërthurur historinë e shqiptarëve që është fshehur nga konjunkturat e regjimit totalitar. Mund të thuash lirisht se ka një vlerë historike, pasi aty rrëfehet jo vetëm për jetën e një familje dhe komunitetit hebrej në Vlorë, por hidhet dritë se si komuniteti i hebrejve ka nisur të vendoset në trojet shqiptare. Historia e familjes të saj është fragment i historisë të komunitetit, që konservoi kulturën e hebrejve Romaniotë, traditat, gjuhën dhe fenë edhe në Shqipërinë e diktaturës deri sa ndalohej besimi fetar.

Një ngjarje që shtrihet nga 1938 e deri në ditët e sotme, “Lulja e Vlorës” është një rrëfim i familjes romaniote-hebreje të Anna Kohen në Shqipëri dhe se si shqiptarët myslimanë i shpëtuan ata nga nazistët. Me të mbërritur në Shqipëri në Vlorën piktoreske pak para Luftës së Dytë Botërore, familja e saj u bashkua me një komunitet të vogël tregtarësh greko-romanioto-hebrenj.

“Kur erdha në Amerikë, gjëja e parë që bëra në aeroport ishte që vura yllin hebre dhe mendova: Kam ardhur në një vend që do të më japë lirinë që nuk e kam pasur kurrë”, është shprehur autorja para artëdashësve.

Me rrëzimin e diktaturës, Anna Kohen i forcoi lidhjet me Shqipërinë, por edhe me komunitetin Shqiptaro-Amerikan në SHBA. Më 2012 Anna Kohen me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, e ftuar si Mike Nderi nga shteti shqiptar vjen në Shqipëri dhe me këtë rast shkon në fshatin Trevëllezër, tek familja Lazaj që strehoi familjen e saj. Kadri dhe Vera Lazaj nuk jetonin më, por takohet me djalin e tyre. Njëkohësisht viziton edhe shtëpinë e prindërve të saj, tashmë një banesë e pabanueshme.

Mes shumë personaliteteve të pranishëm ishin edhe ambasadorë të disa shteteve mike të Kosovës e Shqipërisë, ish kryeministri Avdulah Hoti, ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadori i Shqipërisë Qemail Minxhozi e shumë të tjerë të cilët e përgëzuan autoren e i dëshiruan shëndet.

Ish ambasadorja e Misionit Diplomatik të Kosovës në Neë York Teuta Sahatqija tha se është nder për ne që kemi sot prezente zonjën Kohen pasi që është person shumë i dashur e i respektuar në komunitetin shqiptar. “Ana është hebreje e lindur në Vlorë e cila me vonë shpërngulet në SHBA. Familja e saj është shpëtuar nga një familje shqiptare gjatë luftës së dytë botërore në Shqipëri dhe ajo ka shumëçka për të treguar.

Në fjalën e tij, Historiani Prof. Dr. Frashër Demaj, tha se shqipëtarët në kulturën e tyre e kanë “Ndorjen”. “Ndorja” është kur të bjen dikush në dorën tënde nga halli, je i obliguar sipas besës dhe kanunit për ta mbrojtur, edhe në qoftë se ty të kushton me jetë. Janë shumë familje edhe në Kosovë që kanë ndihmuar në strehimin e hebrenjeve. Ka ngashmëri mes shqiptarëve dhe hebernjve në shumë aspekte. Degdisja nëpër botë e hebrenjve është shumë e ngashme me shqiptarët. Personalitetet e para që u kujdesën për Kosovën që në vitet e para të të 90-ve, vinin nga ShBA-të dhe ishin me preardhje hebreje. Ishte Tom Lantosh pastaj zonja Albright, Kohen, Klark e shumë të tjerë që mbrojtën të drejtën e këtij populli.

Ndërsa Flori Zevi nga komuniteti hebraik, me këtë rast shpalosi disa përjetime të komunitetit hebraik në Kosovë e Shqipëri ndër vite.

Shqipe Malushi nga shoqata “Motrat Qiriazi”, evokoi kujtime nga aktivitetet që kishin në ShBA, bashkë me zonjën Kohen. Ajo shpalosi sfidat që kanë kaluar së bashku duke u munduar t’i emancipojnë dhe integrojnë gratë shqiptare në Amerikë. “Dr. Kohen ka punuar pandërprerë, ka pasur një energji shumë të madhe. Falë saj u bashkuam me shoqatën “ Motrat Qiriazi” në Kosovë duke iu ndihmuar shqiptarëve në Kosovë. Dr. Kohen kishte dy dhimbje gjatë luftës në Kosovë, pasi që i kujtonte dhimbjet e hebrenjve të përndjekur”.

Ndërsa Edëin Schëartz, përkthyesi i librit dhe mik i autores, ky libër është interest pasi kur ta lexoni do të zbuloni sëgën 100 vjeqare të dinastisë kohen familje Romaniote hebreje greke që u vendos në Vlorë në vitin 1938. “Kur e kam njohur Anna Kohe-in kam fituar përshtypjen e një uragani e cila nuk ndalet para asgjëje. Kam pasur fatin e mirë ta njoh këtë zonjë në të gjitha etapat e jetës dhe e krahasoj me nënë terezën në miniaturë porn ë fushat e veta. Lajtmotivi I këtij libri është triumfi I së mirës mbi të keqen”, ka thënë Schwartz.

Jam shumë e lumtur që jam sot para jush, është shprehur në fund zonja Kohen. “Gjithçka që ndodh e ka një arsye, para 10 vitesh isha në Tiranë e ftuar nderi me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. Me atë rast vizitova fshatin Trevëllazër, kisha shumë emocione. Ne ikëm nga Shqipëria kur në atë kohë nuk kishte mundësi të ikte as edhe një mizë. Pra janë të gjitha këto përjetime që nuk ndodhin rastësisht”.

“Lulja e Vlorës” është një libër që duhet lexuar, pasi është shkruar me shumë dashuri dhe vërtetësi.

Iliriana Pylla

KMDLNj: Serbia po kërcënon serbët që jetojnë në Kosovë se do ta pësojnë nëse bashkëpunojnë me Qeverinë

KMDLNj ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke theksuar se Serbia po përdorë dezinformimin si mjet për ta luftuar Kosovën.

Përmes një reagimi për media, KMDLNj ka theksuar se brenda një kohe të shkurtë janë dhënë tri dezinformata nga ana e Serbisë, e cila sipas tyre përmes instrumentalizimit të serbëve në veri të vendit e ka tensionuar situatën.

“Serbia përmes instrumentalizimit të serbëve në veri të Kosovës e ka tensionuar situatën sikur që po kërcënon edhe serbët që jetojnë në Kosovën qendrore se do ta pësojnë nëse bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës duke i quajtur “ serbët e Kurtit “. Këto dezinformata nuk po përdoren rastësisht dhe në këtë kohë por se kanë një vijimësi të keqpërdorimit për qëllime politike”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka theksuar se institucionet e Kosovës dhe qytetarët duhet tregojnë maturi sepse, përkundër përpjekjeve për destabilizim të situatës, nuk do të ketë përshkallëzim të dhunës dhe se kjo situatë do të tejkalohet në mënyrë paqësore.

Reagimi i plotë:

Organizata joqeveritare Aktiv doli me një informatë se drejtori i kësaj OJQ –je, Miodrag Miliqeviq, me datë 14.11.2022 në ora 9.30 të mëngjesit është ndaluar në pikëkalimin në Jarinje nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dhe me këtë rast ishte keqtrajtuar verbalisht dhe fizikisht duke u qëlluar me grusht në bark ndonëse, sipas tyre, me asgjë nuk e ka provokuar situatën. Pas kësaj kishte shumë reagime nga mediat në Serbi si dhe institucionet shtetërore të Serbisë duke deklaruar se është vazhdim i dhunës ndaj serbëve. Policia e Kosovës e ka përgënjeshtruar këtë informatë duke deklaruar se nuk ka asnjë ankesë nga z. Miliqeviq për rastin në fjalë.

Kohë më parë kur u keqtrajtua një e moshuar shqiptare në Shtëpi për të Moshuar në Pejë në mediat serbe ishte një informatë që përcillej me fotografi se si infermieret shqiptare e keqtrajtojnë një të moshuar serbe pas së cilës u aktivizuan politikanët nga Serbia duke e gjykuar këtë “ dhunë “ ndaj plakës serbe. Policia serbe, para një jave arrestoi një grup të organizuar kriminal me dyshim se kishin planifikuar vrasjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kjo nuk paraqet asnjë lajm për Kosovën po të mos ishte një informatë se, edhe këtu ishin të ngatërruar shqiptarët. Në raportet nga hetuesia thuhet se ishin planifikuar tre mundësi për vrasje të Vuçiqit, atentat me armë, vënia e mjetit shpërthues në automobilin e Vuçiqit sikur edhe helmimi i tij në restorant ku e frekuenton përmes hedhjes së një helmi në ushqim e që pastaj, si i sëmurë nga zemra do të pësonte atak kardiak. Ndërkaq, si njeri të besueshëm që do ta hedhte helmin në ushqim ishte caktuar një shqiptar i besueshëm i cili, për këtë do të shpërblehej me 5000 euro.

Janë tri dezinformata brenda një kohe të shkurtër në kohën kur Serbia përmes instrumentalizimit të serbëve në veri të Kosovës e ka tensionuar situatën sikur që po kërcënon edhe serbët që jetojnë në Kosovën qendrore se do ta pësojnë nëse bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës duke i quajtur “ serbët e Kurtit “. Këto dezinformata nuk po përdoren rastësisht dhe në këtë kohë por se kanë një vijimësi të keqpërdorimit për qëllime politike që nga rasti i Gjorgje Martinoviqit, vrasja e të rinjve serbë në kafeterinë “ Panda “ në Pejë, vrasja e fëmijëve dhe të rinjve serbë në fshatin Gorazhdec, fshat i banuar 100 përqind me serbë, vrasja e 11 fshatarëve serbë duke punuar tokën në fshatin Staro Gracko të Lipjanit, vendosja e mjetit shpërthyes në autobusin e UNHCR që bartte refugjatë serbë në veri të Kosovës e që ishte kontrolluar nga serbët dhe ndërkombëtarët, deri te vrasja e 11 shqiptarëve në Mitrovicë në shkurt të vitit 2000, në prani dhe përkrahje të xhandarmerisë franceze me ç’rast dhunshëm janë shpërngulur mbi 13,000 shqiptarë dhe joserbë sikur edhe vënia e zjarrit shtëpive dhe veturave të serbëve në veri të Kosovës shkaku se i kanë konvertuar targat ilegale apo janë integruar në institucione të Kosovës.

KMDLNj –ë, ka reaguar për të gjitha këto raste duke kërkuar zbardhjen e tyre dhe vënien para drejtësisë të atyre që kanë përgjegjësi mirëpo, asnjë nga këto raste nuk ishte zbardhur ndërkohë që përgjegjësia arbitrarisht ishte adresuar te shqiptarët. Është e habitshme se si faktori ndërkombëtar nuk kontribuoi në zbardhjen e asnjë rasti në ndërkohë që KMDLNj–ë fuqishëm beson se ndërkombëtarët mund të kenë informata për këto raste por se heshtin për shkak të oportunitetit politik. Realisht, vetëm rasti “Panda“, falë rrjedhjes së informatave nga burimet serbe konsiderohet i sqaruar duke e adresuar përgjegjësinë drejt shërbimeve sekrete të Serbisë por se nuk është ndërmarrë asnjë veprim ligjor për të sanksionuar përgjegjësinë penale për këtë krim të tmerrshëm. Institucionet e Kosovës duhet të këmbëngulin në zbardhjen e këtyre rasteve të cilat Serbia i përdorë për ta fajësuar Kosovën ndonëse nuk e kanë asnjë fakt për këtë.

Opinioni kosovar por edhe ai ndërkombëtar është i informuar se pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004 kur e pësuan serbët dhe romët, kryesisht, pati shqiptarë të arrestuar dhe të dënuar, të gjitha dëmet materiale në shtëpi dhe objekte fetare u kompensuan nga buxheti i Kosovës sikur që ishte një fushatë gjithëpërfshirëse për kthimin e serbëve të zhvendosur. Në anën tjetër, ndonëse në këto ngjarje të dhunshme ishin vrarë 11 shqiptarë, askush nuk bëri hetim për vrasjen e tyre ku kishte edhe ekzekutime klasike nga afërsia dhe askush nuk u arrestua apo dënua për këto vrasje. Vënia e drejtësisë dhe kompensimi u bë sipas parimit ekskluzivisht etnik e jo sipas ligjit që garanton trajtim të njëjtë për të gjithë.

Askush nuk u dënua për vrasjen e 11 shqiptarëve në Mitrovicë në shkurt të vitit 2000, askush nuk ua kompensoi dëmet materiale dhe, jo që nuk pati angazhime për kthimin e tyre ( mbi 13,000 ) në pronat e tyre por, përkundrazi ndërkombëtarët, me të gjitha mjetet e pamundësuan kthimin e tyre ndërkaq që institucionet e Kosovës, për një kohë ua paguan qeranë për t’i lënë pastaj në mëshirën e fatit.

Në këtë mënyrë u përligj spastrimi etnik i veriut të Kosovës për ta krijuar një situatë tjetër etnike e që po manipulohet nga Serbia. Institucionet e Kosovës dhe qytetarët duhet tregojnë maturi sepse, përkundër përpjekjeve për destabilizim të situatës, KMDLNj mendon se nuk do të ketë përshkallëzim të dhunës dhe se kjo situatë do të tejkalohet në mënyrë paqësore.

David Phillips: Dialogu do të vazhdojë deri në njohjen e Kosovës nga Serbia

Shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, nuk i ka pranuar rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ta shtyjë për 10 muaj vendimin për ri-regjistrimin e targave ilegale serbe në ato RKS.

Megjithatë, si të drejtë këtë vendim po e vlerëson Drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips.

Ai thotë se Kosova është një shtet sovran dhe se ka të drejtë që ta vërë një afat të caktuar për targat e makinave.

“Kosova është shtet sovran dhe ka të drejtë të caktojë një afat për targat e makinave. Zyrtarët perëndimorë janë të shqetësuar se qasja dhe koha e kryeministrit Kurti mund ta përshkallëzojnë konfliktin. Prandaj mendoj se duhet të ketë një rrugë të mesme sa i përket kohës”, u shpreh ai.

Njohësi i politikave për Ballkanin Perëndimor, shprehet i bindur se krejt në fund të këtij procesi Kosova do ta siguroj njohjen nga Serbia, pavarësisht se plani franko-gjerman nuk e parasheh një gjë të tillë.

Tutje, Phillips thotë se Kosova do t’i ruajë kufijtë e saj aktual, pavarësisht tensioneve në veri të vendit.

“Dialogu do të vazhdojë si mjet për zbutjen e konfliktit derisa të arrihet një marrëveshje e plotë dhe përfundimtare ku Serbia do ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj aktualë”, deklaroi Phillips për tëvë1.info.

Ditë më parë, serbët vendosën t’i braktisin institucionet e Kosovës, për shkak se nuk u pajtuan që të respektojnë vendimin e qeverisë për ndërrimin e targave të makinave. Për më tepër, ata po kërkojnë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Express

Konjufca takon një delegacion nga Kongresi amerikan

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, takon delegacion nga Komisioni i Partneritetit për Demokraci (HDP) të Kongresit të SHBA-së, 15 nëntor, 2022.

RFE/RL

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të martën priti në takim një delegacion nga Komisioni i Partneritetit për Demokraci (HDP) i Kongresit të SHBA-së për të diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit mes dy palëve lidhur me shërbimet e bibliotekës dhe arkivimit.

Në këtë takim ishin të pranishëm Mike Bishop, ish-kongresist nga Partia Republikane, Derek Luyten, drejtor ekzekutiv i HDP-së, Kimberly Ferguson, specialiste për menaxhimin e Sistemit Informativ Legjislativ në Bibliotekën e Kongresit, Sarah Garding, analiste për Çështje Evropiane në Shërbimin e Kërkimit të Kongresit (CRS) dhe Kristen Sample, drejtore e përgjithshme e qeverisjes në Zyrën Qendrore të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Uashington.

“Në takim u shkëmbyen pikëpamje rreth mënyrave konkrete të bashkëpunimit ndërmjet HDP-së dhe Kuvendit, me fokus mbështetjen për ngritjen e Institutit Parlamentar, si dhe zhvillimin e shërbimeve të bibliotekës dhe arkivit të legjislativit”, thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.

Sipas kësaj komunikate, gjatë këtij takimi Konjufca e falënderoi SHBA-në për mbështetjen që i ofron Kosovës, duke shtuar se “miqësia e dëshmuar, aleanca strategjike dhe partneriteti shembullor ndërmjet popujve dhe shteteve tona mbeten të palëkundura”.

Të enjten, HDP-ja bëri të ditur se këtë javë do të bashkëpunojë me Parlamentin e Kosovës lidhur me metodat që përmirësojnë llogaridhënien dhe profesionalizmin e legjislaturës”.

“Partneriteti për Demokraci në Dhomën e Përfaqësuesve, po punon ngushtë këtë javë me Parlamentin e Kosovës për çështjet që kanë të bëjnë me kërkimin dhe arkivimin – elemente kritike për llogaridhënien dhe profesionalizmin e legjislaturës”, shkroi HDP-ja në Twitter.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i HDP-së shkroi të hënën në Twitter se problemet e kërkimit, arkivimit dhe menaxhimit të të dhënave nuk duhen të lihen anash.

“Të konsideruara nga disa si çështje të dorës së dytë, këto janë çështje kritike për llogaridhënien dhe trasparencën e institucioneve”.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, të dyja palët u pajtuan që të zgjerojnë bashkëpunimin dhe të shkëmbejnë përvojat “në dobi të ngritjes së efikasitetit dhe funksionalitetit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Sportistët e Ukrainës gjejnë mikpritje e kurajë në Kosovë

Arton Konushevci

“Jemi shumë falënderues për përkrahjen që Kosova i jep Ukrainës… edhe nëse këtë përkrahje e jep vetëm me fjalë”, tha Sergey Malyshko.

“Qyteti ku unë kam jetuar, është shkatërruar nga ushtarët rusë. Vendi atje është shkatërruar, por shumë familje po kthehen”, tha ai.

Malyshko, 28 vjeç, është lojtar i kombëtares së Ukrainës në futsall.

Sergey Malyshko, lojëtar i ekipit kombëtar të Ukrainës në futsall, tha për REL-in se me ndeshjet sportive ai po kontribuon për shtetin e tij, që po përballet me pushtimin rus.

Sergey Malyshko, lojëtar i ekipit kombëtar të Ukrainës në futsall, tha për REL-in se me ndeshjet sportive ai po kontribuon për shtetin e tij, që po përballet me pushtimin rus.

Bashkë me ekipin e tij, ai mori pjesë në një ndeshje futsalli që u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës në sallën e sporteve në Prishtinë.

Lojtarët u mirëpritën me duartrokitje të gjata nga qindra sportdashës nga Kosova.

“Slava Ukraini” apo “Lavdi Ukrainës” shkruante në një pano të ngritur në sallë. Aty shkruante edhe “Kosova stands with you”, apo “Kosova është me ju”.

Tifozët në Pallatin e Rinisë kishin flamuj ukrainas dhe pano në mbështetje të Kievit.

Tifozët në Pallatin e Rinisë kishin flamuj ukrainas dhe pano në mbështetje të Kievit.

Ukraina është nën pushtimin e ushtrisë ruse qysh në fund të shkurtit.

Shifra të sakta për të vrarët nuk ka, por besohet të jenë qindra mijëra.

Mbi 7 milionë ukrainas janë zhvendosur jashtë kufijve të vendit të tyre, ndërsa miliona të tjerë brendapërbrenda.

Sergey Malyshko, gjatë ndeshjes kundër Kosovës, e cila u mposht nga ekipi ukrainas.

Sergey Malyshko, gjatë ndeshjes kundër Kosovës, e cila u mposht nga ekipi ukrainas.

Malyshko, përpara se të shpërthente lufta, ka jetuar në qytetin e Harkivit, në verilindje të Ukrainës, ndërsa më pas është zhvendosur në qytetin perëndimor të Lvivit.

Në ndeshjen e futsallit që u zhvillua në Prishtinë, ekipi ukrainas fitoi ekipin kosovar me rezultat 5:2.

Malyshko tha se fitoret e tilla janë motiv për lojtarët, por edhe për luftëtarët në front.

“Dua t’i falënderoj ushtarët e Ukrainës për luftën që po bëjnë për mbrojtjen e qytetarëve dhe që neve e shumë njerëzve të tjerë po u mundësojnë të punojnë e luftojnë në forma të ndryshme. Edhe kjo ndeshje, kjo lojë… për mua është një kontribut për vendin tim”, tha Malyshko.

Ekipi i kombëtares ukrainase në futsall dhe gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, pozojnë pas ndeshjes kundër Kosovës.

Ekipi i kombëtares ukrainase në futsall dhe gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, pozojnë pas ndeshjes kundër Kosovës.

Sipas tij, përgatitjet për lojë në një vend në luftë nuk janë aspak të lehta.

“Në perëndim të Lvivit arrijmë të ushtrojmë në një klub vetëm deri atëherë kur nuk ka alarme rreziku, e që na duhet të mbyllemi. Për momentin, jam sportist… por nëse kërkohet nga unë të shkoj të luftoj dhe ta mbroj vendin tim, unë do të shkoj dhe nuk do të fshihem askund”, tha Malyshko.

Oleksander Kosenko është trajner i kombëtares së Ukrainës në futsall. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai u shpreh i mahnitur me mikpritjen që u është bërë në Kosovë dhe me kurajën që i është dhënë nga njerëzit që ka takuar.

Ndeshjet që zhvillon, ekipi i përjeton si një lloj lufte, tha ai.

“Me këtë lloj të luftës duam të sjellim gëzim te qytetarët e Ukrainës”, tha Kosenko.

Oleksander Kosenko, trajneri i kombëtares ukrainase në futsall.

Oleksander Kosenko, trajneri i kombëtares ukrainase në futsall.

Burrat në Ukrainë, nga mosha 18 deri në 60 vjeç, nuk lejohen të largohen nga vendi në kohë lufte.

Kosenko tha se kombëtarja e futsallit merr leje nga Ministria e Sportit e Ukrainës për të udhëtuar jashtë Ukrainës për lojë.

“Lejet i marrim për një afat të shkurtër dhe e kemi obligim që të kthehemi përsëri në Ukrainë”, tha Kosenko.

Ne mesin e shikueseve të lojës ishin edhe disa gazetarë nga Ukraina, që gjetën strehim në Kosovë.

“Kosova është bërë si shtëpi e dytë për ne”, tha gazetarja Oksana Chykanchy, e cila ka rreth tre muaj që është vendosur në Kosovë.

Gazetarja e strehuar në Kosovë, Oksana Chykanchy, në mbështetje të ekipit të saj kombëtar në futsall, gjatë ndeshjes së organizuar në Prishtinë më 9 nëntor.

Gazetarja e strehuar në Kosovë, Oksana Chykanchy, në mbështetje të ekipit të saj kombëtar në futsall, gjatë ndeshjes së organizuar në Prishtinë më 9 nëntor.

Kosova, po ashtu, u është bashkuar sanksioneve që ka ndërmarrë Perëndimi kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Me fitoren në Kosovë, kombëtarja e Ukrainës në futsall forcoi pozitën në kuadër të garës për kualifikimet e Botërorit 2024.


Send this to a friend