VOAL

VOAL

Këshilltari i Kurtit thotë se Serbia po e “kushtëzon” zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA

Serbia është duke e kushtëzuar zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA, Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, ka thënë të enjten Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Zulfaj tha se “ka një zgjidhje kompromisi” pas disa vjetëve bllokimi në CEFTA, por e akuzoi Serbinë se ka vënë kushte për këtë.

Vendimmarrja në CEFA – e cila ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor – është bllokuar për shkak të mospajtimeve të Kosovës në lidhje me përfaqësimin e saj në këtë mekanizëm.

“Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk janë të ndërlidhura”, tha ai.

Qeveria e Kosovës e ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor të vitit të kaluar, një ditë pasi forcat serbe kishin arrestuar tre policë të Kosovës.

Zulfaj tha se vendimi për ndalimin e mallrave serbe “nuk ka të bëjë me tregtinë”, por “me kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit tonë”.

“Ato nuk janë marrë nga Ministria e Tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se kryeministri Kurti “nuk pranoi kompromise” për CEFTA-n gjatë një takimi të enjten më të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

“Manuel Sarrazin e vizitoi Kosovën përsëri për t’i kërkuar Albin Kurtit kompromise për CEFTA-n, që do të mundësonin më shumë liri për qytetarët, do ta zëvendësonin UNMIK-un (me Kosovën) në bord, por nuk kishte sukses”, tha Rohde.

Gjatë një vizite në rajon në fund të gushtit, Sarrazin tha se vendet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti Kosova dhe Serbia, duhet të jenë të gatshme për kompromise dhe koncesione jo të lehta.

Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitin 2007 dhe përfaqësohet përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Autoritetet kosovare tani kërkojnë që të përfaqësohen si shtet jo përmes misionit të OKB-së.

Shtetet tjera anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Në vitin 2006, këto gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor nënshkruan këtë marrëveshje me qëllim për eliminimin e detyrimeve doganore dhe pengesave të tjera për tregtinë e ndërsjellë. REL

Presidentja Vjosa Osmani: Kosova e Finlanda partnere të palëkundura

Gjatë vizitës në Kosovë, shefja e diplomacisë finlandeze Elina Valtonen është pritur sot në takim nga presidentja Vjosa Osmani. Osmani tha në takim se Kosova dhe Finlanda janë partnere të palëkundura në mbrojtjen e vlerave evropiane.

“Në takim me ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, e falënderova për mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën në çdo etapë, përfshirë procesin e shtetformimit, shtetndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Do të vazhdojmë angazhimin për forcimin e raporteve tona ndërshtetërore”, ka shkruar e para e vendit në një postim në Facebook.

Në kuadër të vizitës në Kosovë, shefja e diplomacisë finlandeze Elina Valtonen është pritur në takim edhe nga homologia e saj Donika Gërvalla. sn

Policia e Kosovës u dërgon fletëthirrje për intervistim pesë personave që dyshohet se kanë udhëhequr institucionet paralele në veri

VOA/Edlira Bllaca

Forca të shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë u panë sërish të mërkurën në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, në atë që ato e quajtën “një trajnim periodik” në vazhdim, “për të testuar procedurat dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale”.

Trajnimi pasoi operacionin e 30 gushtit të autoriteteve të Kosovës që mbyllën komunat paralele serbe në veri, në një veprim që nxiti kritika nga diplomacia perëndimore.

Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme.

Mbyllja e tyre nxiti reagimin e serbëve lokal të cilët për disa ditë me radhë protestuan përballë ndërtesave të institucioneve paralele të Serbisë në veri, me kërkësën për t’u kthyer në vendet e tyre të punës.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha sot se dy nga institucionet më të rëndësishme të Serbisë në Kosovë, shëndetësia dhe arsimi janë duke funksionuar ndërsa theksoi se nuk e vë në dyshim se autoritetet në Prishtinë “do të provojnë t’i rrënojnë të gjitha”. Ai tha se është i gatshëm që të vizitojë Mitrovicën e Veriut nëse një gjë të tillë i lejohet nga forcat ndërkombëtare dhe shqiptare në Kosovë.

Policia e Kosovës tha se u ka dërguar fletëthirrjet për paraqitje në Prokurorinë e Shtetit pesë personave që dyshohet se kanë qenë udhëheqës të institucioneve paralele dhe dyshohen për falsifikim të dokumenteve.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç tha se fletëthirrjet që u janë drejtuar udhëheqësve të Listës Serbe, janë dëshmi e përndjekjes brutale politike që do të ketë pasoja të gjera.

Ai shkroi në rrjetet sociale se “udhëheqësit e institucioneve serbe nuk kanë falsifikuar asgjë dhe kanë bërë gjithçka ekskluzivisht në përputhje me ligjin, duke ofruar shërbime edhe për serbët edhe për shqiptarët”, duke nënvizuar se nëse kryeministri Albin Kurti do të kishte formuar Asociacionin e komunave serbe, “sot nuk do të ishim në këtë gjendje”.

Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.

Mbyllja e komunave kritikua menjëherë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që tërhoqën vërejtjen në atë që e cilësuan vazhdimësi të veprimeve të njëanshme dhe të pabashkërenduara të autoriteteve të Kosovës.

Në fillim të muajit gusht autoritetet mbyllën Postën e Serbisë në veri dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave, mes kritikave të perëndimit.

Perëndimi kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel

Bashkimi Evropian tha se synon një takim ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë pasi që ka shumë çështje në tryezë që duhet të zgjidhen dhe ditëve në vijim pritet që i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak të qëndrojë në Prishtinë për të përgatitur takimin e ardhshëm në Bruksel.

Policia thotë se do t’i nxjerrë të gjitha materialet nga institucionet e mbyllura paralele

Autoritetet e Kosovës duke vendosur flamurin shtetëror para objektit ku deri më 30 gusht ka funksionuar Komuna paralele e Mitrovicës – sipas sistemit serb.

 

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e rendit do të nxjerrin gjatë ditës të gjitha materialet nga objektet e institucioneve paralele serbe në veri, të mbyllura më 30 gusht.

Punonjësit do të mund t’i marrin gjërat private, nëse ato nuk janë prova të nevojshme për policinë, ka thënë Elshani.

Pas këtij aksioni, këto ndërtesa do t’u kthehen pronarëve.

Me ligjet e Kosovës, pronare janë komunat: në Mitrovicë të Veriut, Komuna e Mitrovicës së Veriut, në Zveçan – Komuna e Zveçanit, e kështu me radhë.

Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur më 30 gusht pesë institucione paralele në veri, të cilat kanë funksionuar sipas sistemit të Serbisë.

Sipas zyrtarëve shtetërorë në Kosovë, ato institucione kanë shkelur kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Institucionet e mbyllura më 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.

Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL), se po të mërkurën do të intervistohen pesë persona të lidhur me këto institucioneve paralele.

Policia nuk ka bërë të ditur se për kë saktësisht bëhet fjalë, mirëpo REL ka mësuar se bëhet fjalë për zyrtarë të lartë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – të cilët kanë qenë në krye të organeve paralele serbe.

Drejtori i Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, njëherësh negociator kryesor në dialog, ka thënë përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter – se “Kurti vazhdon të bëjë terror”, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës.

Perëndimi e ka kritikuar Kosovën për ato që i ka konsideruar si veprime të njëanshme.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë ditë më parë se, veprimet për shtrirje të sovranitetit janë legjitime, por që suksesi varet nga bashkëpunimi me aleatët. REL

Forca të shtuara të KFOR-it sërish në urën e Ibrit

Forca të shtuara të KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër.

 

Forca të shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, u vunë re edhe të mërkurën në urën e Ibrit në Mitrovicë.

Pjesëtarë të misionit i thanë korrespondentes së Radios Evropa e Lirë në terren se bëhet fjalë për disa stërvitje.

REL-i kërkoi përgjigje zyrtare nga KFOR-i, por nuk mori.

Ky mision ka prani të përhershme në urën e Ibrit, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë.

Forca të shtuara ka pasur edhe në fundjavën e kaluar, kur misioni ka konfirmuar se ka kryer disa trajnime.

Këto zhvillime vijnë pak ditë pasi autoritetet e Kosovës kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri.

Banorët serbë të zonës, prej vitesh, kanë marrë shërbime të ndryshme në to dhe mbyllja e tyre ka shkaktuar reagim të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare kundër Kosovës.

Kjo, përkundër faktit se për shuarjen e këtyre strukturave ka një marrëveshje që është arritur në Bruksel qysh në vitin 2013, por zbatimi i saj ka ngecur.

Bashkësia ndërkombëtare, megjithatë, kërkon që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, të trajtohen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ngjashëm ka kërkuar të trajtohet edhe çështja e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e makinave, gjë të cilën Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta bëjë. REL

Serbët në Mitrovicë të Veriut kërkojnë të kthehen në punë në institucionet paralele

Punonjësit e komunës paralele serbe në Mitrovicë të Veriut, që u mbyll nga autoritetet e Kosovës më 30 gusht.

 

Afër 300 qytetarë serbë u tubuan para një objekti që ishte përdorur nga disa institucione paralele serbe në Mitrovicë të Veriut më 2 shtator, duke thënë se po përpiqen që të kthehen në punë.

Personat që protestuan të hënën ishin punonjës të administratës të institucioneve paralele serbe, që Kosova i konsideron ilegale.

Në këtë objekt komunal, që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve, paraprakisht kishin qenë të vendosura institucione që financohen nga Serbia: Zyra për Kosovën, Drejtoria e Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria.

Tubimi vjen disa ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të Kosovës, përfshirë komunën paralele të Mitrovicës, duke thënë se këto institucione po punonin nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Tubimi i serbëve në Mitrovicë të Veriut.

Tubimi i serbëve në Mitrovicë të Veriut.

Aksioni i 30 gushtit, i kryer nga institucionet e Kosovës u cilësua si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe po ashtu u kundërshtua nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve lokalë në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, dhe nga zyrtarët në Serbi.

Shefi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Petrit Fejza, tha për Radion Evropa e Lirë se mbyllën këtë objekt më 30 gusht, pas dyshimeve se në të kishte dokumente false.

Punëtorët, që thanë se tubimi i tyre i së hënës nuk është protestë, deklaruan se në këtë objekt për vite të tëra kanë ofruar shërbime për qytetarët.

Por, Fejza tha se ata nuk do të lejohen të hyjnë brenda objektit derisa autoritetet të kryejnë hetime.

Igor Simiq nga Lista Serbe shihet në tubimin në Mitrovicë të Veriut.

Igor Simiq nga Lista Serbe shihet në tubimin në Mitrovicë të Veriut.

Drejtori i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Igor Simiq, njëherësh anëtar i Listës Serbe, tha se më shumë se 30.000 persona marrin shërbime nga puna e këtyre institucioneve serbe.

“Këto nuk janë institucione paralele sepse shërbimet që ofrojnë këto institucione nuk i ofron askush tjetër. Ne paguajmë 30.000 pensione për të gjithë qytetarët, pa dallim etike. Më shumë se 4.000 shqiptarë nuk do të mund të marrin pension sepse dikush vendosi të hyjë në këtë ndërtesa dhe 26.000 serbë dhe boshnjakë”, tha ai.

Simiq i bëri thirrje misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të mundësojë që këta persona të kthehen në punë dhe të “mundësojë lirinë e lëvizjes në punë”.

Ai po ashtu i kërkoi Bashkimit Evropian, shteteve të QUINT-it dhe UNMIK-ut “të dënojnë këto lëvizje dhe të mbështesin këta persona dhe të drejtën e tyre për punë”.

Në afërsi të vendit ku serbët u mblodhën mëngjesin e së hënës u panë edhe pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, si dhe dy automjete të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Ky tubim në Mitrovicë të Veriut u zhvillua një ditë pasi në objektet që ishin përdorur nga institucionet paralele serbe u vendosën pllaka të ministrive të Qeverisë së Kosovës.

Përveç pesë institucioneve të mbyllura të premten e kaluar, në prill autoritetet e Kosovës mbyllën edhe shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë të tjera të Kosovës.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht. REL

Osmani takon në Pragë ministrin e ri britanik për Evropën

Në kuadër të forumit global të sigurisë GLOBSEC 2024 në Pragë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me ministrin e ri britanik për Evropën Stephen Doughty.

Ajo ka thënë se për popullin e Kosovës, aleanca me Mbretërinë e Bashkuar është jashtëzakonisht e rëndësishme.

“Raportet e veçanta dhe historikisht të mira në mes të dy vendeve tona shërbejnë si themel i pa luhatur për avancimin tutje të bashkëpunimit bilateral”, u shpreh e para e vendit tonë. sn

Kraki: BE dhe SHBA po përkëdhelin Serbinë, Kosova po paguan faturat e gjeopolitikës

I ftuar në edicionin e lajmeve në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko për të diskutuar mbi tensionet mes Serbisë dhe Kosovës ishte pedagogu nga Franca, Nezir Kraki.

Kraki është shprehur se Kosova i ka mbyllur institucionet ilegale në veri të vendit pasi është e drejta kushtetuese e saj që ta shtrij qeverisjen në të gjithë territorin dhe ky veprim i fundit është nënshkruan në marrëveshjet që Kosova ka bërë me Serbinë

BE ka nxjerrë një mori dhuratash, premtimesh që tentojnë të motivojnë Serbinë që ajo ta qartësoi pozicionin e vet nëse është me perëndimin apo me lindjen dhe në këtë thes gjendet dhe Kosova në mes. Aty nuk gjendet Kosova si e tërë por vetëm atë që ajo kërkon ta marrë si politikisht që është veriu i vendit.

Evropianet dhe amerikanët kanë kohë që janë rreshtuar në këtë kah të Serbisë kundër Kosovës. Komunat paralele në Kosovën kanë pasur për tu mbyllur që në vitin 2013 në marrëveshjen e famshme ku u kërkua dhe krijimi i asociacionit. Pjesa më e madhe e marrëveshjes së 2013 edhe pse në tërësi ishte e keqe për Kosovën nuk po e respektojnë vetë ata që e kërkuan.

Një vit pas marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit vijën dhe të thonë që mbyllja e disa komunave ilegale na qenka jo veprim i mirë nga ana e Kosovës.

KFOR-i shton masat e sigurisë në urën kryesore në Mitrovicë

VOA

Forca të shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë u panë të shtunën në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, një ditë pasi autoritetet e Kosovës mbyllën komunat paralele serbe në veri, në një operacion që u kritikua menjëherë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe ka të ngjarë të rrisë tensionet me Serbinë fqinje.

Forcat paqeruajtëse nuk e komentuan praninë e shtuar në urë dhe nëse kjo ka të bëjë drejtpërdrejtë me situatën e re në veri.

Policia e Kosovës, tha se operacioni në katër komunat në veri të vendit u zhvillua për të ndërprerë veprimtaritë në “pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se “janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O’Brien, tha se “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës”.

Në një postim në të cilin i bëri jehonë një deklarate të mëparshme të Ambasadës amerikane në Prishtinë, zoti O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje “Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe qeverisë së tij që të këshillohen dhe bashkërendohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pabashkërenduara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.

Më herët të premten, ambasada amerikane në Prishtinë tha se operacioni i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri të vendit, “nuk ishte i bashkërenduar” dhe vazhdimi i veprimeve të tilla paraqet “përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë”.

Bashkimi Evropian u shpreh “i zhgënjyer” me mungesën e vazhdueshme të bashkërendimit të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe ofruesit e sigurisë.

“BE-ja dëshiron të përsërisë se Kosova është zotuar të shtensionojë situatën në veri. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e qytetarëve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga qeveria e Kosovës”, thuhet në një postim të zyrës së BE-së në Prishtinë në të cilin theksohet se operacioni i së premtes “mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme”.

Zyrtarët e Serbisë reaguan me zemërim ndaj operacionit. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, u shpreh “i shqetësuar me dhunën” dhe “shkeljen e sërishme të të drejtave të serbëve dhe rrezikimin e tyre nga veprimet arrogante dhe ta paligjshme të Prishtinës”. Ai tha pas një takimi me të dërguarin evropian Miroslav Laçak në Pragë se ka kërkuar “reagimin e BE-së jo vetëm për dënimin e veprimeve të tilla, por edhe pengimin e tyre dhe mbrojtjen e serbëve”.

Policia e Kosovës, tha të shtunën se situata është e qetë në veri, ndërsa raportoi se pas mesnatës “në afërsi të objektit të ish komunës ilegale në Leposaviq, është hedhur një mjet shpërthyes”, por pa dëme.

Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme.

Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.

Në fillim të muajit gusht autoritetet mbyllën Postën e Serbisë në veri dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave.

Perëndimi kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel.

Por bisedimet 13 vjeçare për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kanë shënuar përparime të pakta.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë trysi palëve që të zbatojnë një marrëveshje për të cilën ranë dakord në shkurt dhe mars të vitit të kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Dita ndërkombëtare e të zhdukurve në Kosovë

VOA/Edlira Bllaca

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje sot bashkësisë ndërkombëtare të ushtrojnë trysni mbi Beogradin për hapjen e arkivave të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilat do të siguronin informacione rreth fatit të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.

Ai i bëri këto komente në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë.

25 vjet pas luftës, familjet e rreth një mijë e 600 personave në Kosovë, ende nuk dinë asgjë për fatin e të afërmëve të tyre.

“Ankthi i familjeve është i madh, pikëllimi i tyre i thellë mirëpo qëndrueshmëria e tyre është e lartë dhe ne u kemi borxh që me gjithë dijen dhe mundësitë e aftësitë tona të bëjmë gjithçka që të zbardhet fati i të pagjeturve dhe të gjendet vendndodhja e tyre”, tha kryeministri Kurti.

Ndonëse në maj të vitit të kaluar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës u zotuan për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të tyre, zotimet e kësaj deklarate mbesin ende të papërmbushura.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se të zhdukurit me dhunë gjatë luftës mbeten plaga më e thellë e Kosovës, ndërsa akuzoi Serbinë se po e përsërit krimin duke e mohuar të vërtetën.

“Duke mbajtur arkivat e mbyllura, pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura. E vërteta nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE. E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm”, shkroi presidentja Osmani në një komunikatë shtypi.

Bajram Qerkini nga shoqata “Zëri i Prindërve”, tha se familjarët janë të zhgënjyer nga pritja e gjatë dhe mungesa e hapave konkret për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.

“Jemi jo të kënaqur me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Fajin e ka edhe Brukseli sepse ndërkombëtarët nuk po e japin një urdhër që ata që dinë të na tregojnë se ku ndodhen më të dashurit tonë”, tha ai.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Autoritetet thonë se aktualisht po zhvillohen gërmime në Kozhle të Serbisë por edhe në 13 vende të ndryshme në Kosovë.

Krasniqi konfirmon mbylljen e pesë komunave paralele serbe në veri

Autoritetet kosovare i kanë mbyllur të premten pesë komuna paralele serbe në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – njoftoi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi.

Ai tha se komunat paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”, tha Krasniqi.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka kërkuar “reagim urgjent” dhe “më të ashpër” nga bashkësia ndërkombëtare.

Vuçeviq tha se Serbia ka dërguar një mesazh të qartë se “avokon fuqishëm për paqen dhe stabilitetin” në rajon, por se “nuk do të lejojë dhunë dhe masakër kundër popullit të saj”, thuhet në një njoftim të Qeverisë së Serbisë.

Ministri Krasniqi tregoi se komunat e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se njësitet speciale kryen një aksion në katër komunat me shumicë serbe në veri. Aksioni u krye në dy lokacione në Mitrovicën e Veriut, si dhe në një lokacion në Zubin Potok dhe në një tjetër në Leposaviq.

Policia zhvilloi një aksion edhe në spital, në pjesën e lavanderisë, pas raporteve se mund të ketë armatim, sipas tij.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se mbyllja e institucioneve serbe në veri të Kosovës do të ketë “pasoja të gjera në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“Albin Kurti ka filluar t’i mbyllë të gjitha institucionet serbe në veri të krahinës, të cilat nuk janë institucione paralele, por institucione që duhet të jenë bazë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviq.

Ai shtoi se institucionet e mbyllura u kanë ofruar serbëve në Kosovë “një minimum shërbimesh publike dhe ekzistenciale si, beneficione sociale përmes pagave dhe pensioneve”.

Më herët, Policia e Kosovës tha se, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, e zhvilloi një operacion policor në katër komuna në veri të Kosovës.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte, të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”, tha Policia.

Po këtë vit, më herët, autoritetet kosovare i mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit si, Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

Aksioni i së premtes në veri u ndërmor në një kohë kur Qeveria e Kosovës është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për veprimet e saj “të njëanshme dhe pakoordinuara”, pasi muajin e kaluar mbylli disa degë të Postës së Serbisë në veri dhe tha se synon ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën me shumicë shqiptare në jug dhe me shumicë serbe në veri.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha të premten në një intervsitë për Radion Evropa e Lirë se ekziston rreziku për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, nëse palët nuk angazhohen në dialog dhe vazhdojnë të bëjnë veprime të pakoordinuara e të ngutshme.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha një ditë më parë në Beograd se partnerët evropianë janë të shqetësuar me “lëvizjet e njëanshme të Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu përgjigj atij të premten duke thënë se Qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës – pa dallime.

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.

Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë prej majit të vitit të kaluar, kur ata morën mandatin nga zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga popullata shumicë serbe.

Serbët lokalë – megjithëse morën pjesë në peticionin për shkarkim të kryetarëve – ata e bojkotuan procesin më vonë, pas thirrjes së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

Serbia, në buxhetin për vitin 2024, ka rritur financimin për punën e institucioneve paralele në Kosovë, përmirësimin e jetës së qytetarëve, informimin, por edhe për mbështje për klerikët dhe murgjit në Kosovë. Po ashtu, mbështet punën e Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut dhe investon në projekte mjedisore. REL

Kurti: Francën e konsiderojmë aleat dhe partner të rëndësishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se duan bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Francën, derisa potencoi se e konsiderojnë aleat dhe partner shumë të rëndësishëm.

Kurti këtë deklarim e bëri pas homazheve në përmendoren dedikuar personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, pasi u pyet rreth arritjes së marrëveshjes së Serbisë me kompaninë e Francës, për blerjen e 12 avionëve ushtarak.

“Ne bëjmë sundim ligji, rend publik, njëkohësisht me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë edhe mbështetjen ndërkombëtare përfshirë këtu edhe Francën që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian edhe në NATO”, tha Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i Francës, Emmanuel Macron, u takuan të enjten në Beograd. Ai ka folur edhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Ai ka deklaruar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të arritur progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili është i një rëndësie kyçe për Ballkanin Perëndimor.

Presidenti i Francës ka theksuar se janë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, teksa ka shtuar se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.  sn

Qeveria e Kosovës shtrin autoritetin në veri- Venhari: Lajm i mirë për qytetarët serbë

Posta e Kosovës e ka hapur sot degën e saj të parë në Mitrovicë të Veriut.

Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ai i Administrimit të Pushteit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë marrë pjesë në hapjen e kësaj dege, në orët e hershme të mëngjesit.

Venhar Isufi gazetar, i ftuar në Edicionin e Mesditës në Syri Tv, komentoi këtë vendim teksa e quajti atë një lajm të mirë për qytetarët serbë, të cilat do të marrin fasilitetin e duhur.

Kjo është pika e 9-të e postës së republikës së Kosovës që po hapet në veri të Mitrovicës.

Ajo çfarë e bën dhe më të veçantë se postat tjera që janë hapur në veri është sepse aty tashmë është një pikë e përbashkët e Telekomit të republikës së Kosovës.

Sepse së fundmi qeveria e Kosovës ka punuar shumë që të shtrihet edhe rrjeti tokësor dhe nëntokësor i valës atje dhe rrjetit … që pastaj të kenë mundësi që të funksionojë gjithçka më lehtë në pjesën veriore, sepse e dimë që gjithmonë në veri ka pasur probleme me rrjetin.

Kështu që edhe hapja e degës së re këtu në veri të Mitrovicës, në fakt ka bërë që kjo të ketë lehtësira për qytetarët e komunitetit serb, por që sot hapja e saj, ku morën pjesë dy ministrat dhe u shprehën të lumtur që kjo ka ndodhur sot.

Sepse sipas tyre, kjo degë do ju shërbejë qytetarëve të të gjithë komuniteteve të cilët do i kryejnë shërbimet duke u nisur që nga pagesat bankare.

Kurti: Po përgatitemi për gërmim në Kozhle të Serbisë në kërkim të të zhdukurve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të enjten se kanë filluar përgatitjet për gërmime në lokacionin Kozhle në Serbi, në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai i ka bërë këto deklarata në një debat të dedikuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë.

Duke folur për përgatitjet për gërmim në Kozhle, ai ka thënë se shpreson që kjo ”nuk është një përpjekje e re nga shteti serb për të evituar nga agjenda e gërmimeve lokacionet e tjera të shënjuara nëpër Serbi”.

“Nuk ka kufomë, nuk ka krim, ishte strategjia e Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarët politikë të [ish-liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit në Beograd”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë thirrje edhe një herë që Serbia t’i hapë arkivat shtetërore.

Kurti ka thënë se Kosova ka bërë kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, “përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në Drenicë”.

Ai ka përmendur se Serbia obligohet për hapje të arkivave edhe përmes një marrëveshjeje të arritur për këtë çështje, më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel.

Zotimet e bëra mes Kosovës dhe Serbisë në Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Deri më tani, gjithçka ka mbetur në letër.

Kurti ka thënë se Qeveria është e përkushtuar për trajtim të secilës informatë që kontribuon në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur.

Sipas tij, tashmë janë adresuar 13 lokacione brenda territorit të Kosovës “në kuptim të gërmimit vlerësues”.

“Familjet e të zhdukurve i kemi lart edhe mes prioriteteve e në përkujdesje të Qeverisë”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në Kosovë vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe 1.612 pesona, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Dita e të Pagjeturve në Kosovë shënohet më 27 prill, ndërsa më 30 gusht shënohet Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjeve me Forcë.REL

Hapet dega e Postës së Kosovës në Mitrovicë të Veriut

Dega e Postës së Kosovës, e hapur në Mitrovicë të Veriut.

 

Maja Fiqoviq

Posta e Kosovës e ka hapur të enjten degën e saj të parë në Mitrovicë të Veriut.

Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ai i Administrimit të Pushteit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë marrë pjesë në hapjen e kësaj dege, në orët e hershme të mëngjesit.

Disa aktivistë dhe përfaqësues të partisë politike, Demokracia Serbe, kanë protestuar kundër hapjes së kësaj dege.

Ministrja Rizvanolli ka thënë se Posta e Kosovës synon të ofrojë shërbime postare për të gjithë, në të gjitha anët e Kosovës, dhe se pika e hapur është e nënta që hapet në veri të vendit.

“Është shumë e rëndësishme që kjo zyrë është hapur sot këtu dhe qytetarët e Mitrovicës së Veriut tani kanë mundësinë të vizitojnë këtë degë dhe t’i kryejnë të gjitha shërbimet që ofron kjo degë. Ka shërbime postare dhe të Telekomit”, ka thënë ministri Krasniqi para mediave.

Hapja e kësaj dege vjen pas mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, pas informacionit të siguruar nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) se ato degë kanë vepruar jashtëligjshëm në territorin e Kosovës.

Mbyllja e këtyre degëve të Postës së Serbisë është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dhe është vlerësuar si hap i njëanshëm prej autoriteteve të Kosovës.

Në degët e kësaj Poste, qytetarët kanë marrë ndihmat që ndan shteti i Serbisë për ta – pensionet dhe shtesat për fëmijë – si dhe kanë mundur të kryejnë shërbime tjera postare.

Posta e Kosovës ka vepruar si njësi biznesi në kuadër të Telekomit të Kosovës deri më 2021, kur me vendim të Qeverisë së Kosovës është themeluar si ndërmarrje publike qendrore. REL

Sarrazin më 29 gusht në Kosovë

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, do të qëndrojë të enjten në Kosovë, bëri të ditur Ambasada gjermane në Prishtinë.

Sipas njoftimit, ai do të zhvillojë takime zyrtare dhe para përmbylljes së vizitës së tij do të ketë një deklarim për media.

Ende nuk dihet se me cilët zyrtarë do të takohet Sarrazin gjatë vizitës më 29 gusht në Kosovë dhe cilat do të jenë temat e bisedimeve.

Sarrazin u emërua në postin e të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, ai ka zhvilluar një sërë vizitash në Kosovë dhe në vende të tjera të rajonit.

Vizitën e fundit në Kosovë, Sarrazin e zhvilloi majin e këtij viti kur u takua me krerët shtetërorë të Kosovës.

Ndërkaq, në qershor ai vizitoi Serbinë dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, bisedoi për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. REL

Zgjatet afati për regjistrimin e diasporës

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mërkurën për zgjatjen e afatit të procesit të regjistrimit të diasporës deri në fund të këtij viti.

Kjo është hera e dytë që zgjatet procesi i regjistrimit të diasporës, i cili bëhet online përmes portalit eDiaspora, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Në maj, procesi ishte zgjatur deri më 31 gusht, por ai tani do të vazhdojë deri më 31 dhjetor 2024.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se intensiteti i regjistrimit të diasporës është rritur ditëve të fundit dhe për këtë ajo kërkoi në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën që anëtarët e kabinetit të votojnë për zgjatjen e procesit deri më 31 dhjetor.

“Të dhënat që duhet të dalin nga regjistrimi i mërgatës do të na shërbejnë edhe institucioneve të vendit, por edhe vetë mërgatës për një organizim më të mirë të nevojave dhe potencialit. Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit kemi pasur një dinamikë me rreth 3.000 regjistrime në ditë, që do të thotë se do të përpiqemi që këtë dinamikë mos ta ndalim përmes përfundimit të afatit”, tha ajo.

Në korrik, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tha se deri në atë kohë ishin regjistruar rreth 600.000 pjesëtarë të diasporës.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, u zhvillua në të gjitha komunat e Kosovës nga 5 prilli deri më 24 maj.

Sipas të dhënave paraprake të ASK-së për regjistrimin e popullsisë Kosova i ka 1.586.659 banorë rezidentë. REL

Dervishi kritika diplomacisë në Tiranë: Kosova shtet dhe jo krahinë e pavarur

Analisti Lutfi Dervishi ka reaguar me kritika në drejtim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europës, pasi kjo e fundit ka hapur një projekt ku do të hapë një departament të veçantë që të merret ekskluzivisht me çështjet që ndërlidhen me shqiptarët në rajon, duke futur edhe shqiptarët në Kosovë.

Në postimin e tij në Facebook, Dervishi thekson se ky është një problem i madh pasi Shqipëria nuk mund të  krijoje një  departament për  shqiptarët e Kosoves.

‘Kosova, nëse ende nuk e dinë në ministrine për Punët e Jashtme dhe Europën, është një  shtet i pavarur dhe jo një krahine e pavarur e Shqipërisë…’, shkruan Dervishi.

Postimi i plotë:

Problemi ( dhe jo i vogel) është  se Shqipëria nuk mund të  krijoje një  departament për  shqiptarët e Kosoves.

Kosova, nëse ende nuk e dinë  në ministrine per Punët e Jashtme dhe Europen, është një  shtet i pavarur dhe  jo një  krahine e pavarur e Shqiperise…

Trepça shpall gjendje të jashtëzakonshme

Menaxhmenti i ndërmarrjes publike, Trepça, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka vendosur që të pezullojë përkohësisht pushimet vjetore të punëtorëve.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, sipas vendimit të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, vjen me qëllim të “realizimit të planit të biznesit për sasinë e koncentratit të humbur gjatë ditëve të grevës”.

Ndërkaq, pushimet vjetore janë pezulluar përkohësisht për muajt shtator, tetor dhe nëntor të këtij viti.

Punëtorët e ndërmarrjes Trepça hynë në grevë në korrik deri më 14 gusht, për shkak të mosekzekutimit të pagave për muajt qershor dhe korrik, si dhe për shkak të mungesës së shujtave ditore për ushqim.

Më 14 gusht, Qeveria e Kosovës ndau 4 milionë euro për pagat e minatorëve të gjigantit metalurgjik Trepça.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se kjo shumë u nda për të tejkaluar krizën aktuale, pasi “ndërmarrja nuk ka arritur t’i sigurojë pagat nga prodhimi”.

Menaxhmenti i Trepçës, më 31 korrik, mosekzekutimin e pagave e kishte arsyetuar në mungesë të mjeteve financiare dhe rënie të prodhimit.

Në një situatë të ngjashme, minatorët e Trepçës e kishin gjetur veten disa herë edhe gjatë vitit të kaluar.

Në fund të muajit tetor të vitit 2023, për dhjetë ditë me radhë ata qëndruan në grevë brenda minierës pikërisht për shkak të mosrealizimit të pagave dhe ankesave për kushtet e punës.

Produktet kryesore që Trepça prodhon janë koncentratet e plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve të tjera. Miniera e Stantërgut, që gjendet në rajonin e Mitrovicës, është vendburimi kryesor i nxjerrjes së xehes.

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare dhe 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje. REL

Qytetarët e Kosovës me 6.26 miliardë euro kursime në banka

Depozitat e qytetarëve të Kosovës po vazhdojnë të rriten nëpër bankat komerciale.

Banka Qendrore ka njoftuar se depozitat e klientëve në korrik 2024 kanë arritur vlerën prej 6.26 miliardë euro, duke shënuar rritje me 120.79 milionë euro, ose 1.97% krahasuar me muajin paraprak.

Vlera e kredive të reja në muajin korrik 2024 ishte 228.8 milionë euro., kurse norma mesatare e interesit në kredi në muajin korrik 2024 ishte 6.17% (në qershor ishte 6.12%).

“Vlera e depozitave të reja në muajin korrik 2024 ishte 164.4 milionë euro. Norma mesatare e interesit në depozita në muajin korrik 2024 ishte 3.04% (në qershor 2024 ishte 2.89%)”, njofton BQK.

Diferenca e normës së interesit në kredi dhe depozita në muajin korrik 2024 ishte 3.12% (nga 3.23% sa ishte në qershor). Raporti kredi-depozita në muajin korrik 2024 ishte në nivelin 86.24%.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, njofton se gjithsej kapitali i bankave komerciale në fund të muajit korrik 2024 arriti vlerën në 906.39 milionë euro, kurse provizionet për kredi u rriten për 0.18 milion euro apo 0.12% krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën 144.01 milion euro.

“Asetet e bankave komerciale në fund të muajit korrik 2024 kanë arritur vlerën në 7.66 miliardë euro, duke shënuar rritje për 0.85% krahasuar me muajin paraprak, kryesisht për shkak të rritjes së kredive bruto, të cilat në fund të muajit korrik kanë arritur vlerën në 5.39 miliardë euro. Krahasuar me muajin paraprak kreditë bruto në korrik 2024 janë rritur për 47.89 milionë euro ose 0.90%”. /Fatos Shala

Image

Kurti zbardh detaje nga takimi me kreun e CIA-s: Dëshmi e përkushtimit të SHBA-së për sigurinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar dëshmi të përkushtimit dhe kujdesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurinë dhe parandalimin e kërcënimeve të sigurisë për Kosovën, vizitën e shefit të Agjencisë Qendrore amerikane për Inteligjencë (CIA), William Burns, javën e shkuar.

“Takimi ka shkuar shumë mirë. Dhe natyrisht që ne kemi bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtë institucion tejet të rëndësishme, të inteligjencës dhe sigurisë, para së gjithash përmes Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

E falënderoj William Burnsin për vizitën në vendin tonë dhe kjo është dëshmi tjetër e përkushtimit dhe kujdesit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë dhe parandalimin e çfarëdo kërcënimi të sigurisë për Republikën tonë në kuadër të marrëdhënieve bilaterale me SHBA-në dhe të paqes, stabilitetit, e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kurti të martën para gazetarëve, pas inaugurimit të renovimit të Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Burns javën e shkuar zhvilloi një “tur” në Ballkan.

Ai fillimisht vizitoi Bosnjë-Hercegovinën, më pas Serbinë dhe dy ditë në fund qëndroi në Kosovë. Në Kosovë ka takuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Kurti. sn

Aktakuzë ndaj një personi për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj Z.N, të nacionalitetit serb, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” në Kosovë.

“Hetimet kanë vërtetuar se gjatë periudhës kohore të luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, i pandehuri ka kryer dhunë seksuale si krim i luftës ndaj një viktimë të nacionalitetit shqiptar”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria Speciale tha se i pandehuri tashmë gjendet në paraburgim, duke mos dhënë më shumë detaje.

Por, më 4 mars të këtij viti Policia e Kosovës kishte njoftuar se Z.N., i nacionalitetit serb ishte arrestuar në Mitrovicë të Veriut gjatë një aksioni të përbashkët mes Policisë dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, nën dyshimet për krime lufte dhe dhunë seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Atëbotë, autoritetet thanë se i pandehuri, 70 vjeç, dyshohet se ka kryer krimet gjatë vitit 1999 në qytetin e Vushtrrisë.

Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte thënë se ka ngritur gjithsej 33 akuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.

Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Ndërsa, numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, nuk dihet.

Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë. REL

Fillojnë ‘Ditët e Nënë Terezës’ në Kosovë

Kosovë – Ipeshkëvia Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, sot, organizon Akademi Solemne me rastin e ditëlindjes së  Shën Nënë Terezës me të cilën hap “Ditët e Nënë Terezës”, që zgjasin deri më 5 shtator.

Fituesja e çmimit Nobel për Paqe, e Shenjta Nënë Tereza sot ka datën e lindjes. E lindur 114 vjet më parë në Shkup, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur më vonë si Shën Nënë Tereza, vazhdon të mbetet një nga personalitetet më të njohura shqiptare në gjithë botën.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes “Ramon Magsaysay” dhe 1979 Çmimin “Nobel për Paqe”.

Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. E për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj i duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike.

Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj 5 Shtator, ku njihet edhe si dita e saj e festës.

Nënë Tereza kujtohet si ambasadorja më e mirë që ndonjëherë ka pasur populli shqiptar. Ndërkohë në Katedralën që e manë emrin e saj Ipeshkvia e Kosovës organizon akademi solemne në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës.

Edhe shoqatat “Organizata Shqiptaria” dhe “Artistët për Artistë”, hapin ekspozitën për nder të ditëlindjes së Shenjtores Nënë Tereza. (Sheshi “Nënë Tereza”, Prishtinë, ora 12:00-18:00)

Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, organizon edicionin e katër të manifestimit tradicional kulturor-shkencor “Ditët e Gonxhës”, që përkon me 114 vjetorin rilindjes dhe 27 vjetorin e vdekjes së Nënës Terezë. (Sheshi Nënë Tereza, Prishtinë, ora 13:00)

Ipeshkëvia Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, organizon Akademi Solemne me rastin e ditëlindjes së  Shën Nënë Terezës me të cilën hap “Ditët e Nënë Terezës”, Manifestimi mbahet në Qendren Bogdani Polis, në Prishtinë, dhe fillon në ora 19:00.

Kupchan: Kurti t’i dëgjojë aleatët për hapjen e Urës së Ibrit

Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan, thotë për tëvë1 se nuk ka ftohje të raporteve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo sipas tij disa lëvizje të Kurtit kanë qenë provokuese për Uashingtonin zyrtar.

Po vlerëson se nuk është momenti i duhur që në këtë fazë të hapet ura mbi lumin Ibër për qarkullimin e lirë të automjeteve, siç edhe po insiston qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin.

Profesori amerikan, Charles Kupchan, thotë se kryeministri Kurti mund të ketë të drejtë politike për ta hapur urën por se nuk do të ishte gjëja e duhur për ta bërë tani.

Sipas Kupchan, këto lëvizje të kryeministrit kosovar po shihen si të njëanshme nga komuniteti ndërkombëtar.


“Vetëm pse kryeministri ka të drejtë politike dhe ligjore për të hapur urën, nuk është patjetër gjëja e drejtë për t’u bërë kur jemi te qëllimi i gjerë i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, me qeverinë në Serbi, dhe te krijimi i një situate paqësore dhe drejt progresit në Kosovë.Prandaj brengosem që nëse kryeministri Kurti lëviz njëanshëm, ai nuk e ka pajtimin e serbëve në veri, pajtimin e Beogradit, nuk e ka përkrahjen e SHBA-së dhe vendeve të NATO-s. Kjo lëvizje mund të bëjë më shumë keq se mirë”, ka thënë ai për Tëvë1.

Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, ka komentuar edhe për raportet mes qeverisë së Kosovës dhe Uashingtonit zyrtar.

Kupchan nuk sheh ftohje të raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së, megjithëse siç thotë ai disa vendime që ka ndërmarëe Kurti për SHBA-në ka qenë provokuses.

“Jo, urrej ta quaj ndarje apo një ftohje që do të ishte term pak i vrazhdët. Por mendoj se kur shikon mandatin e kryeministrit Kurti, dhe sheh zgjedhjen e kryetarëve të komunave në veri nga një pakicë shumë e vogël, ndërrimin e tabelave të regjistrimit të veturave, çështjen e letërnjoftimeve, e monedhës, ka një pikëpamje në SHBA, në Uashington që kryeministri Kurti nganjëherë ndërmerr hapa që janë provokues, që nuk janë në frymën e lëvizjes drejt normalizimit, dhe implementimit të marrëveshje të cilën BE-ja e ka vendosur në tavolinë, ndonëse palët nuk kanë nënshkruar marrëveshjen, kanë deklaruar përkrahjen e saj”, shprehet profesori amerikan.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të rikthehet në angazhim konstruktiv dhe të ngushtë me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Në të njëjtën kohë, SHBA-të i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të mos e hapin për qarkullin urën mbi lumin Ibër, pasi që sipas tyre kjo mund të nxis tensione në pjesën veriore te vendit. bw

Takimi Burns-Kurti, deputeti zbardh prapaskenat: Është diskutuar edhe beteja kundër shërbimeve sekrete të Rusisë

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka folur për vizitën e drejtorit të CIA-s në Kosovë, William Burns, ku ky i fundit pati takim edhe me kryeministrin Kurtin.

Vizita e shefit të CIA-s ishte kryetemë e javës, por edhe takimi i tij me kryeministrin Kurti. Lidhur me këtë çështje, Haliti tha se një takim i tillë mes dyshes, për të ka qenë i pritshëm.

“Për mua , ka qenë e pritshme që të takohet me Kryeministrin. Drejtori i CIA ka ardhur për t’i takuar tri vendet problematike të Ballkanit, Bosnje Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën. Ka takuar udhëheqësit politik, ekzekutiv dhe ligjzbatues. Mendoj që takimet duhet të kenë qenë të frytëshme dhe mesazhi qortues për të gjithë duhet të ketë qenë: në Bosnje Hercegovinë, duhet ta zbatoni “Marrëveshjen e Dejtonit, Serbisë e Kosovës: Zbatoni marrëveshjet e nënshkruara, dhe normalisht edhe çështje tjera që kanë të bëjnë në raportet mes SHBA-ve dhe vendeve përkatëse. Sa i përket takimit me Kurtin, mendoj që ka qenë tepër i rëndësishëm, veçanërisht sa i përket kthjellimit politik të qeverisë”, tha ai.Sipas Halitit, në takimin e para pak dite që ndodhi, shefi i CIA-s i ka bërë me dije kryeministrit Kurti, detyrat që ai duhet t’i kryejë.“Drejtori i CIA s, nuk është ardhë me e pytë Kurtin, a është i majtë apo i djathtë, por besoj që në tavolinë ia ka qitë përpara detyrat që duhet t’i kryej. Uroj që Kurti ta kuptoj drejtë mesazhin që e ka marrë dhe të filloj t’i zbatoj porositë pa hezitim. Ndoshta jam subjektiv në ato që po i them, por përvoja e kaluar, e jona dhe e vendeve që kanë kaluar kriza të ngjashme, ka qenë e suksesshme atëherë kur kanë kryer detyrat e shtëpisë, sipas receptures së politikës perëndimore. Shpresoj që Kurti s’ia ka shpjeguar historinë e SHBA”, tha Haliti.Tutje, ai shton se rezultati i kësaj vizite do të shihet në vijim.“Rezultati i vizites do shihet ditëve në vijim. Sepse këto takime e mesazhet zakonisht mbesin të mbuluara me velon e sekretit e spekulimeve, por s’duhet me vra mendjen shumë për këtë çështje, sepse fjalëve të Ambasadorit të para dy ditëve që ishin karrota, ky e ka nxerrë dhe ia ka treguar edhe shkopin. Por, kryesorja është që SHBA është e interesuar që në Ballkan të vendoset paqja dhe të eleminohen politikat konfliktuoze, me qëllim që të gjithë të bëhemi pjesë e BE. Besoj që edhe beteja kundër shërbimeve sekrete të Rusisë së ka qenë në tavolinë”, përfundoi Xhavit Haliti. bw

Vuçiçi dhe ambasadori rus në Serbi flasin për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua të enjten me ambasadorin e Rusisë në këtë vend, Aleksandr Botsan-Kharchenko, me të cilin, siç tha, bisedoi për situatën në Kosovë dhe mundësinë “e hapjes me forcë” të urës mbi lumin Ibër.

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq shkroi se ka pasur “një bisedë të hapur dhe të sinqertë me ambasadorin Botsan-Kharchenko për të gjitha temat me interes për Serbinë dhe për Federatën Ruse, si dhe për qëndrimet e Serbisë në lidhje me zhvillimet aktuale gjeopolitike globale”.

“Unë shpreha shqetësim të thellë për pasojat e mundshme që mund t’i ketë hapja me forcë e urës së Ibrit, si dhe për aktivitetet e tjera të planifikuara të regjimit të Prishtinës, të drejtuara kundër popullit serb në Kosovë”, shkroi Vuçiq, por pa dhënë detaje apo burime informacioni për planet që i përmendi.

Vuçiq, po ashtu, e falënderoi Rusinë për mbështetjen e vazhdueshme diplomatike për Rezolutën 1244 të OKB-së, si garanci të vetme ndërkombëtare për, siç tha, mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Një ditë më herët në Beograd, Vuçiq diskutoi për të njëjtat tema me ndihmëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s për çështje politike dhe të sigurisë, Boris Ruge.

Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, njoftoi qysh në mes të korrikut se synon ta hapë urën kryesore mbi Ibër, e cila ndan Mitrovicën në jugun me shumicë shqiptare dhe veriun me shumicë serbe.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse është rënë dakord që të hapet për qarkullim në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Por, shtetet e QUINT-it – SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – njoftuan më 2 gusht se nuk e mbështesin hapjen e urës për qarkullimin e automjeteve tash për tash, duke thënë se një gjë e tillë mund të çojë në tensione të reja në Kosovë.

Rusia dhe Serbia konsiderohen si vende miqësore dhe Beogradi e ka mbështetjen e Moskës në refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Edhe pse Beogradi zyrtar ka mbështetur disa rezoluta të OKB-së që e kundërshtojnë pushtimin rus të Ukrainës, Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, pavarësisht presionit nga Perëndimi.

Krahas bashkëpunimit politik, dy vendet po zhvillojnë edhe atë ushtarak dhe ekonomik. REL

Aeroplani me të cilin besohet se ka udhëtuar në rajon shefi i CIA-s shihet në Aeroportin e Prishtinës

Një avion i ushtrisë amerikane shihet në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”. 22 gusht 2024.

 

Mesditën e 22 gushtit, një avion i ushtrisë amerikane, me të cilin besohet se ka udhëtuar shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, në Bosnje dhe Serbi, është parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ambasada amerikane në Prishtinë nuk i është përgjigjur pyetjes nëse Burns po viziton Kosovën. Përgjigje për Radion Evropa e Lirë për këtë çështje nuk dhanë as nga Presidenca e Kosovës, e as nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë mesditën e së enjtes e fotografoi aeroplanin e ushtrisë amerikane të ndalur para zonës “VIP” në Aeroportin e Prishtinës.

Flamuri amerikan shihet në avionin e ushtrisë amerikane që ateroi në Prishtinë më 22 gusht.

Flamuri amerikan shihet në avionin e ushtrisë amerikane që ateroi në Prishtinë më 22 gusht.

Me këtë avion besohet se Burns ka udhëtuar nga Sarajeva në Beograd. Ndërkaq, më 22 gusht ky aeroplan udhëtoi nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar.

Rruga që përshkroi avioni ushtarak amerikan nga Beogradi në Prishtinë më 22 gusht.

Rruga që përshkroi avioni ushtarak amerikan nga Beogradi në Prishtinë më 22 gusht.

Gazetarët e REL-it po ashtu kanë parë një autokolonë duke u larguar nga zona “VIP” e aeroportit “Adem Jashari” drejt Prishtinës.

Kjo autokolonë është përcjellë nga makina të Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës duke shoqëruar autokolonën nga Aeroporti i Prishtinës.

Policia e Kosovës duke shoqëruar autokolonën nga Aeroporti i Prishtinës.

Në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.

Siç tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.

Ndërkaq, më 21 gusht shkoi në Beograd, por kjo vizitë nuk u konfirmua dhe as u mohua nga zyrtarët në Serbi dhe Shtetet e Bashkuara.

Vizita e Burnsit në rajon vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

SHBA-ja dhe shtete të tjera të bashkësisë ndërkombëtare kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

Vizita e shefit të CIA-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për ish-komandantin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, mund të jetë për shkak se “Rusia po bën një luftë hibride në Ballkanin Perëndimor”.

“Rreziku më i madh i konfliktit është në Bosnje dhe Hercegovinë, përmes Republikës Sërpska, dhe në veri të Kosovës. Vizita e zyrtarëve të lartë në këtë rajon tregon se ata kanë informacione të mjaftueshme për përpjekjet ruse – përmes satelitit të saj, Serbisë – se kjo pjesë e Evropës është në rrezik të një konflikti të mundshëm… dhe është e sigurt që kanë ardhur këtu për t’i dhënë rekomandimet e tyre”, tha Kastrati më 21 gusht.

Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.

Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021.

Radio Evropa e Lirë

Osmani e Rohden flasin për çështjen e hapjes së urës së Ibrit

Prishtinë –  Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë çështjen e hapjes së urës së Ibrit, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas njoftimit, Osmani ka ripotencuar rëndësinë që plani i zbatimit për hapjen e urës të bëhet në konsultim e koordinim midis institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, dhe se hapja e saj është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

Në takim u diskutua edhe për zhvillime që ndërlidhen me Procesin te Berlinit, me ç’rast, Presidentja Osmani përsëriti mbështetjen e saj të plotë për marrëveshjet e dalura nga ky proces. sn

Ben Emmerson tërhiqet nga mbrojtja e Kadri Veselit në Gjykatën Speciale

Dhomat e Specializuar të Kosovës në Hagë njoftuan të mërkurën se avokati Ben Emmerson është tërhequr nga ekipi mbrojtës i ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është duke u gjykuar nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i mohon.

“Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emmerson. Veseli dhe Emmersoni u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme”, thuhet në njoftim.

Veseli dhe Emmerson u pajtuan për ndarjen për shkak të “prishjes së parevokueshme të marrëdhënieve të tyre klient-avokat”, sipas njoftimit.

Gjykata tha se trupi gjykues “u bind se do të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit të Veselit dhe se ndryshimi i kryembrojtësit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor”.

Emmerson, avokat ndërkombëtar dhe ish-raportuesi Special i OKB-së për Kundër Terrorizëm dhe të Drejtat e Njeriut, ishte emëruar në krye të mbrojtjes së Veselit në fund të vitit 2020.

Emmerson është i njohur për publikun kosovar, sidomos për proceset gjyqësore ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në kuadër të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Në Gjykatën Speciale aktualisht janë duke u zhvilluar disa gjykime ndaj ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deri tani, gjykata ka dënuar ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafa me 22 vjet burgim për krime lufte si dhe janë shqiptuar dënime për pengimin e drejtësisë për dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ndër gjykimet që po vazhdon është edhe ai ndaj Veselit, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Ata kanë një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që i kanë mohuar.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë. REL

Kosova përfiton mbështetje shtesë nga USAID-i në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh

Ceremonia e nënshkrimit të grantit mes USAID-it dhe Kosovës më 21 gusht 2024.

 

Kosova dhe Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) nënshkruan marrëveshjen për grantin, që ofron ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.

Fondet shtesë prej 34.5 milionë dollarësh janë pjesë e marrëveshjes së arritur më herët, që arrin vlerën prej 146.2 milionë dollarësh, që sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, – e cila nënshkroi grantin në emër të Kosovës – synon të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët, të rrisë llogaridhënien e institucioneve dhe të mundësojë qeverisje efektive.

“Marrëveshja që sapo nënshkruam me SHBA-në, me USAID-in është edhe një rikonfirmim drejt vizionit tonë të përbashkët, drejt një të ardhmeje më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët tanë”, tha Osmani gjatë një konference për media me ambasadorin amerikan në Kosovës, Jeffrey Hovenier, më 21 gusht.

Hovenier, ndërkaq tha se ndihma e tillë për Kosovën nga Qeveria amerikane ka nisur 25 vjet më parë dhe deri më tani, Uashingtoni ka ofruar mbi 1 miliard dollarë për të mbështetur popullin e Kosovës.

Ai tha se me këto fonde është ndihmuar qeverisja lokale dhe qendrore, zhvillimi ekonomik, forcimi i sektorit të energjisëm i mediave të pavarura dhe fusha të tjera në Kosovë.

“Këto fonde të reja, ngjashëm do të shkojnë në forcimin e ekonomisë së Kosovës dhe të mbështesin qeverisjen e mirë dhe shërbime më efektive nga Qeveria për të gjithë qytetarët nga Kosova. Mendojmë se kjo do të ndihmojë Kosovën që të integrohet më shumë në tregun evropian dhe ta afrojë shtetin me institucionet euroatlantike, sikurse BE-ja, që sigurisht është qëllim që e ndajmë të gjithë”, tha Hovenier.

Gjatë konferencës, Hovenier sërish foli për cilësinë e partneritetit mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.

Ai përsëriti deklaratat e bëra më 13 gusht gjatë një interviste dhënë Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni po përballet me disa sfida nga Qeveria e Kosovës “dhe ato sfida kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë”.

“Thënë këtë, disa nga fushat e bashkëpunimit me Qeverinë aktuale të Kosovës janë më pak pozitive sa që kemi shpresuar, angazhimi i Qeverisë amerikane për popullin e Kosovës është më i fort se kurrë më parë”, tha Hovenier.

Ndihma shtesë për Kosovën, përmes USAID-it, sipas Hovenierit është tregues i angazhimit të Qeverisë amerikane për të mbështetur popullin e Kosovës.

“Ngjarja e sotme, përmbyllja e marrëveshjes prej 34.5 milionë dollarë si mbështetje shtesë për popullin e Kosovës, për rritje ekonomike, integrimin evropian mendoj se qartësisht thekson këtë qëndrim. Megjithatë, duhet ta pranoj se ky angazhim ndaj popullit të Kosovës jo domosdo vlen për ndonjë qeveri të veçantë apo për zgjedhjet e politikave apo veprime të asaj qeverie”, tha ai.

SHBA-ja, por edhe shtete të tjera të QUINT-it (Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Gjermania) si dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar disa veprime të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në veri.

Bashkësia ndërkombëtare e ka cilësuar si veprim të pakoordinuar dhe të njëanshëm mbylljen e disa zyrave të Postës së Serbisë në veri të Kosovës në fillim të gushtit, ndërkaq SHBA-ja dhe QUINT kanë thënë po ashtu se nuk duhet tani që autoritetet e Kosovës të hapin për qarkullim të automjeteve urën kryesore mbi lumin Ibër.

Qeveria e Kurtit ka thënë se po vazhdon konsultimet dhe koordinimet me bashkësinë ndërkombëtare për hapjen e urës, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe. REL

Kastrati: Vizita e shefit të CIA-s në rajon synon të ndalë përpjekjet e Rusisë për një konflikt të mundshëm

Die Morina van Uijtregt

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vizita në rajon e shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, tregon se Shtetet e Bashkuara kanë informacione të mjaftueshme për përpjekjet e Rusisë – përmes aleatit të saj, Serbisë – që Ballkani Perëndimor të jetë në rrezik për një konflikt të mundshëm. Ai pret që Burns të japë rekomandime të “fuqishme” për institucionet e Kosovës lidhur me pjesën veriore, që të mos ndërmarrin veprime pa u koordinuar me NATO-n, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, në mënyrë që të mos krijohet një situatë e pamenaxhueshme. Ai shton se mesazhet kryesore Burns do t’i përcjellë në Beograd, pasi, sipas tij, aty gjendet qendra e lëvizjeve radikale drejt Bosnjës dhe Kosovës. Kastrati thekson se pret që politika në Bosnje e Hercegovinë të bllokojë dhe të eliminojë ndikimin e liderit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik. rel

 

Aeroporti i Prishtinës shënon rritje të trafikut të pasagjerëve në Europë

Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve në Europë (ACI EUROPE) ka publikuar raportin më të fundit për trafikun ajror, që përfshin periudhën e katërmujorit të dytë të vitit 2024.

Raporti thekson se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” ka shënuar rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve në Europë, krahasuar me vitin e pandemisë 2019.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës po ashtu ka treguar rezultate të jashtëzakonshme, me një rritje prej 71.2% të trafikut të pasagjerëve gjatë katërmujorit të dytë të këtij viti.

Ky trend tregon një rimëkëmbje të vazhdueshme dhe një afrim të dukshëm drejt rikuperimit të plotë krahasuar me vitin e pandemisë.

Raporti i ACI EUROPE gjithashtu nënvizon se, përveç Shqipërisë dhe Kosovës, disa vende të tjera në Evropë si Uzbekistani, Armenia, Kazakistani dhe Bosnja, kanë përjetuar rritje të ndjeshme të trafikut të pasagjerëve gjatë kësaj periudhe.

Gushti pritet të sjellë një rritje të mëtejshme të numrit të udhëtarëve, veçanërisht për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, duke kontribuar në një fluks të shtuar pasagjerësh në Aeroportin e Prishtinës.

Parashikimet janë optimiste për rritjen e vazhdueshme të trafikut të pasagjerëve në aeroportin e Prishtinës, duke e pozicionuar atë ndër më të suksesshmit në rajon./MONITOR

Kosovë: 6100 qytetarë konvertuan patentat ilegale serbe në RKS

Prishtinë – Qytetarët Kosovës po vazhdojnë konvertimin e patentë shoferëve nga ato ilegalet në ato të Republikës së Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për RTKlive se deri dje janë konvertuar 6100 patenta shoferi.

“Në Leposaviq janë konvertuar 1866 patentë shoferë, në Mitrovicën Veriore 1471, në Zubin Potok 916, në Zveçan 1121, në Graçanicë 210, në Kamenicë 99, në Shtërpcë 65, në Gjilan 469etj”, tha ai.

Ndryshe Ministra e Punëve të Brendshme e Kosovës e ka zgjatur afatin për konvertimin e patentë shoferëve nga ata të lëshuar nga institucionet ilegale serbe në patentë shoferë zyrtar të Republikës së Kosovës deri më 23 gusht.

Vendimi për shtyrje të konvertimit të patentë shoferëve ka ardhur pas kërkesës së madhe të serbëve të Kosovës për konvertim.

Por pas datës 23 gusht, është paralajmëruar se policia do të marrë masa, duke shqiptuar edhe gjoba.

Ndihmëssekretari i NATO-s: Të gjithë në Kosovë duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e pret në takim ndihmëssekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, 20 gusht 2024.

 

Ndihmëssekretari i Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e tensioneve, pasi autoritetet kosovare po punojnë për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në veri.

Rogue u prit të martën në një takim në Prishtinë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën bisedoi për çështjen e urës, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe.

“Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat e njëanshme, të cilat mund të krijojnë tensione. Kjo është e rëndësishme për sigurinë afatgjate në Kosovë – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”, shkroi Rogue në X.

Ai shtoi se NATO-ja është krenare që i ka ofruar mjedis të sigurt të gjithëve në Kosovë në 25 vjetët e fundit, dhe shtoi se për urën mbi Ibër në takim me Osmanin e theksoi qëndrimin e aleancës se vendimet duhet të merren “përmes dialogut dhe në mënyrë të koordinuar”.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, e mbështeti qëndrimin e Ruge dhe shtoi se “stabiliteti i arritur nuk duhet të vihet në rrezik përmes mungesës së dialogut, apo veprimeve të pakoordinuara”.

Ndërkohë, Osmani e përsëriti gjatë takimit se autoritetet kosovare duhet të konsultohen dhe koordinohen me NATO-n në veçanti për ndërtimin e një plani të përbashkët për hapjen e urës.

“Presidentja Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Takimi i Osmanit me Ruge vjen një ditë pasi ajo e priti në një takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutas.

Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë, me gjithë kundërshtimin nga bashkësia ndërkombëtare.

Kjo nxiti edhe protestë të serbëve të Kosovës në veri javën e kaluar, të cilët e kundërshtojnë hapjen e urës.

Një ditë më parë, Osmani tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë duhet të bëhet në bazë të një plani me partnerët ndërkombëtarë.

Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Albin Kurtit për rihapjen në këtë kohë. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

Megjithatë, kryeministri Kurti tha të hënën për Zërin e Amerikës se hapja e urës mbi lumin Ibër do të bëhet bazuar në një plan të cilin Qeveria e tij, siç tha ai, e ka ndarë me partnerët amerikanë dhe evropianë.

“Duam që ta bëjmë sa më parë. Por as nuk do t’i befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë dhe amerikanë në njërën anë, por as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht”, tha Kurti.

Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu” thotë për Radion Evropa e Lirë se e sheh si pozitive “zbutjen” e qëndrimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me hapjen e urës mbi lumin Ibër.

“Qeveria nuk duhet asnjëherë të ndërmarrë veprime të pakoordinuara dhe të padakorduara me partnerët ndërkombëtarë, sepse pastaj do të jetë e vështirë të zbatohen. Kësaj here po shihet që kryeministri është zbutur nga deklaratat e tij fillestare, me gjasë ka kuptuar që urën nuk mund ta hapë i vetëm, ose mund ta hapë, por prapë mund të mbyllet. Kështu që, një koordinim me partnerët ndërkombëtarë me gjasë mund të jetë shumë më i efektshëm për arritjen e qëllimit të Qeverisë së Kosovës, që ura e Ibrit të hapet për qarkullim për qytetarët”, tha ai.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2014, gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë.

Tani ura është e hapur vetëm për këmbësorë dhe ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në të. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu. REL

Krasta: “RTK-ja nuk është institucion policesk”

VOA

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Adi Krasta tha të hënën në mbrëmje se ky medium publik nuk e ka parësor “ndëshkimin” por zgjidhjen e problemeve, duke iu përgjigjur kësisoj kritikave për mosveprim pas reagimeve që nxiti një shkrim i publikuar në fund të muajit të kaluar nga RTK-ja, që pretendonte se dy gazeta në internet me seli në Prishtinë, janë financuar nga Serbia.

Shkrimi nxiti reagime të shoqatave të gazetarëve, mediave dhe organizatave joqeveritare të cilat i bënë thirrje Bordit të RTK-së që ta shqyrtojë situatën. Bordi shpalli formimin e një komisioni për të hetuar përgjegjësinë editoriale.

Të shtunën kryetari i bordit Besnik Boletini, dhe anëtarët e tij, Arta Berisha dhe Safet Kabashi, dhanë dorëheqje.

Zoti Boletini, shkroi të shtunën në rrjetet sociale se “gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e trajton këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. Siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”.

Zoti Krasta tha në një intervistë në RTK të hënën se “nuk është primare historia e ndëshkimit, neve nuk jemi institucion policesk. Nuk është primare për ne heqja e kokave. Kjo historia e shkarkimit është një kulturë e vjetër në RTK dhe në institucione të tjera ku ka shqiptarë, që e zgjidh duke e hequr tjetrin, duke e shkatërruar tjetrin, duke e hequr nga pozicioni. Dhe nuk zgjidhet problemi i vërtetë por merret një vendim për të lëviz njerëz, për të destabilizuar njerëz…dhe ndërkohë problemi është po i njëjti. Mua më intereson zgjidhja e problemit”, tha zoti Krasta.

Ai tha se RTK-ja tashmë ka ngritur “një kolegjium njerëzish të rëndësishëm që marrin vesh nga profesioni, vumë një filtër të menjëhershëm dhe thamë kurrë më në të ardhmen RTK-ja nuk mund të trajtojë një lajm të cilin e krijon vetë ose e merr nga burime të tjera kur ka ndjeshmëri të madhe, pa pasur një dakordim të këtij kolegjiumi, nuk do të ndodh më”, theksoi ai, duke nënvizuar se RTK-ja nuk mund të nxitojë për hir të trysnisë.

Zoti Krasta tha se pajtohet me qëndrimin e Misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i cili duke komentuar dorëheqjet nga bordi i RTK-së, nënvizoi është e domosdoshme që Parlamenti i Kosovës “të zgjedhë anëtarët e rinj të bordit të RTK-së me përparësi të lartë sapo të mblidhet, në mënyrë që bordi të funksionojë përsëri. Emërimi i anëtarëve të rinj të bordit dhe i një drejtori të ri të përgjithshëm duhet të jetë transparent dhe i bazuar qartë në merita”.

Misioni nënvizoi po ashtu “rëndësinë e llogaridhënies dhe transparencës për ruajtjen e besimit të publikut në RTK dhe përkushtimin e tij për raportim të paanshëm dhe të përgjegjshëm mediatik…”.

Ankesat e qytetarëve nga veriu i Kosovës për sjelljen e policisë

Sandra Cvetkoviq

Shoqëria civile dhe disa pjesëtarë të komunitetit serb në veriun e Kosovës pretendojnë se në katër komunat – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – policia përdoret për vendosjen e pushtetit “me forcë” dhe kontrollin e qytetarëve përmes një lloj “represioni”.

Disa pretendojnë gjithashtu se Policia e Kosovës ka një “trajtim diskriminues” ndaj anëtarëve të komunitetit serb, dhe se në disa raste përdoret forcë e tepruar, për të cilën organizata joqeveritare Aktiv ka shkruar në raportin e saj “Gjendja e të drejtave të njeriut në veriun e Kosovës”.

Nga ana tjetër, Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se gjatë katër viteve të fundit nga komunat në veri janë bërë gjithsej 180 ankesa dhe informacione anonime, dhe se ka raste që pas shqyrtimit, janë përcjellë për procedurë disiplinore ose te prokurori. Për krahasim, në nivel vendi, në të gjithë Kosovën, në gjashtë muajt e parë janë bërë mbi 900 ankesa ndaj zyrtarëve të policisë.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se janë në dijeni për ankesat e qytetarëve nga radhët e komunitetit serb në lidhje me punën e policisë, dhe për këtë arsye bashkëpunojnë ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës.

Megjithatë, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës (PK) për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë mohoi pretendimet e qytetarëve.

Prania e Policisë së Kosovës në veri është rritur nga fundi i majit të vitit të kaluar, kur kryetarët shqiptarë morën pushtetin, gjë që u kundërshtua nga komuniteti serb.

Në zgjedhjet e prillit 2023, fituan kandidatët e partive shqiptare, pasi serbët bojkotuan zgjedhjet me nismën e Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë. Kësaj i parapriu tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës në fillim të nëntorit 2022, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i larguar nga përdorimi targat serbe që lëshohen me emrat e qyteteve të Kosovës nga Serbia. Në atë kohë, policët nga radhët e komunitetit serb dhanë dorëheqje dhe më pas u zëvendësuan kryesisht nga policë të komunitetit shqiptar.

Tensionet kulmuan në shtator të vitit 2023 kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit dhe vrau një polic, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radojçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partia kryesore e serbëve të Kosovës.

Për çfarë bëhen konkretisht ankesat e qytetarëve?

Qytetarë nga komunat në veri të Kosovës, disa prej të cilëve nën kushte anonimiteti, deklaruan për REL-in se kanë përjetuar “një lloj force të tepruar ose diskriminimi nga policia”. “Ata na konsiderojnë të gjithëve si kriminelë”, tha njëri prej bashkëbiseduesve të REL-it, identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë.

N.N. nga Zveçani tha se kur policia e ndalon atë, ata sillen sikur gjithçka u lejohet. Si shembull, ai përmend rastin kur policia e ndaloi për kontroll në rrugën Mitrovica e Veriut – Zveçan, dhe kur ai konstatoi se e kishin ndaluar nga drejtimi i kundërt në mënyrë të pasigurt, polici i kishte thënë: “Unë mund të bëj çfarë të dua”.

Ai shtoi se policët nuk duan të flasin në gjuhën serbe dhe se gjoba i është shkruar në gjuhën shqipe. Si shembull tjetër, N.N. përmend se djalin e tij në Mitrovicën e Veriut e ndaluan pjesëtarët e Njësisë Speciale me armë të gjata, dhe se ata ishin të ashpër dhe përdorën fjalë vulgare si kërcënime nëse i filmonte me telefon.

Ata nuk kanë raportuar asgjë tek Inspektorati Policor i Kosovës sepse, ata thanë se nuk kanë besim në atë institucion.

“Kujt t’i raportoj, njerëzve të tyre që do ta mbulojnë gjithçka. Nuk kam besim tek ata, janë të gjithë të njëjtë. Nuk kam dëshirë t’u them asgjë, këtë mund t’ia them vetëm KFOR-it, por ata më thonë se nuk mund të ndërmarrin asgjë”, tha ai.

Sërxhan Gjorgjeviq nga Mitrovica e Veriut, gjatë një debati publik për sigurinë në komunën e Mitrovicës së Veriut më 8 gusht, dha një shembull personal, duke shprehur bindjen se policia veproi në mënyrë joprofesionale dhe të njëanshme gjatë hetimit të një incidenti që ndodhi.

“Në vend që unë të jem pala e dëmtuar, u akuzova”, tha ai i bindur se kjo ndodhi vetëm sepse kishte targa të BG (Beogradit).

Në atë debat, Olivera Milosheviq tha se sjellja e keqe e Policisë së Kosovës nuk mund të përgjithësohet, dhe se ka prej tyre që janë shumë korrektë. Megjithatë, ajo kritikoi numrin e madh të patrullave të policisë.

Çfarë thonë Policia e Kosovës dhe MPB-ja?

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës (PK) për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një prononcim për REL-in, mohoi se pjesëtarët e PK-së sillen në mënyrë diskriminuese apo se ushtrojnë ndonjë formë të represionit.

Është e vërtetë që ka shumë postblloqe, por kjo është e gjitha për shkak të ngjarjeve të mëparshme”.

Ai theksoi se pas dorëheqjes së serbëve nga policia në fund të vitit 2022, në veri ishin vetëm katër policë nga komuniteti serb, por aktualisht janë rreth 60 të tillë dhe se ata përpiqen të kenë dikë në çdo patrullë që e kupton dhe e flet gjuhën serbe.

“Do të ishte mirë që të gjithë policët të flisnin serbisht ose të gjithë qytetarët në veri të Kosovës të flisnin shqip, por në praktikë situata nuk është e tillë. Ne përpiqemi që gjithmonë të kemi në patrullë dikë që flet serbisht”, tha Elshani.

Ai shtoi se edhe qytetarët në jug të Ibrit ankohen për sjelljen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kur marrin gjobë dhe thonë se policia është “e pafytyrë”, porse “në fakt, janë aty për të ndëshkuar ata që nuk respektojnë ligjin”.

“Nëse ka ndonjë rast të sjelljes diskriminuese, ata mund të kontaktojnë gjithmonë me mua ose me Inspektoratin. Gjithmonë është dikush që është lart dhe mbikëqyr atë që bëjmë ne”, tha Elshani.

Ndërkaq, praninë e madhe të patrullave të policisë ai e shpjegoi me sulmin e vitit të kaluar në Banjskë:

“Është e vërtetë që ka shumë postblloqe, por kjo është e gjitha për shkak të ngjarjeve të mëparshme. Duhet të shqetësohemi edhe për sigurinë e policisë. Vitin e kaluar u vra një polic. Duhet të jemi të pranishëm për sigurinë e qytetarëve”.

Jeta Tela nga Ministria e Brendshme e Kosovës tha se monitorohen ankesat e qytetarëve lidhur me punën dhe sjelljen e pjesëtarëve të policisë dhe se bashkëpunojnë ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës. Sipas saj, pavarësisht ankesave, besimi i pjesëtarëve të komunitetit serb në institucionet e Kosovës po rritet, por ky besim duhet të rritet më tej përmes përpjekjeve të tyre.

Tela theksoi se Inspektorati Policor i Kosovës është një mekanizëm që monitoron punën e policisë dhe se ai është në dispozicion të të gjithë qytetarëve.

“Zyra e Inspektoratit ekziston edhe në Mitrovicën e Veriut. Ne zhvillojmë një fushatë informuese që ekziston ky mekanizëm për raportimin e punës (së Policisë së Kosovës)”, shtoi Tela.

Inspektorati Policor i Kosovës: Numri i ankesave të qytetarëve është në rënie

Nga Inspektorati Policor i Kosovës, në një përgjigje për REL-in, thanë se që nga fillimi i vitit kanë marrë 23 ankesa për punën e policisë në veriun e Kosovës, por nuk specifikuan për cilat shkelje bëhet fjalë. Ata sqaruan se në 10 raste ka elemente të veprës penale, ndërsa në 13 raste po shqyrtohet procedura disiplinore.

Sipas tyre, në rastet që është duke i hetuar Inspektorati Policor i Kosovës, ka gjithsej gjashtë ankesa nga komuniteti serb, tri raste janë iniciuar nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës në përputhje me detyrat e tyre zyrtare dhe një ankesë është anonime.

Ata thanë se bazuar në rezultatet e hetimeve, Prokurorisë së Shtetit i janë dorëzuar tri raste të kallëzimeve penale – një me raport të veçantë dhe dy me raporte informative. “Rastet e tjera janë në proces të shqyrtimit”, bënë të ditur nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Ata theksuan se numri i ankesave të qytetarëve nga veriu është në rënie krahasuar me vitet e mëparshme.

Përdorim i tepruar i forcës?

Organizata joqeveritare Aktiv në raportin e saj “Gjendja e të drejtave të njeriut në veriun e Kosovës”, të publikuar në qershor të këtij viti, ka thënë se përdorimi i tepruar i forcës nga policia e Kosovës është raportuar në nëntor të vitit 2023, kur një person i arrestuar ka pësuar lëndime fizike.

“Gjatë aksionit policor, ai nuk ka rezistuar në asnjë mënyrë dhe ka ofruar të bashkëpunojë plotësisht, por gjithsesi është nxjerrë dhunshëm nga automjeti dhe ka marrë disa goditje, ndërsa fytyra i ishte shtypur kundër furgonit që drejtonte”, thuhet në raport.

Aty shtohet se më pas policët e kanë poshtëruar në paraburgim duke i hedhur letër higjienike në drejtim të tij.

Në të njëjtin raport thuhet se policia ka përdorur forcë të tepruar më 19 dhjetor 2023, kur në kalimin Jarinë ndodhi një debat verbal nëse ai është një kalim administrativ apo kufitar.

Pika e kalimit kufitar midis Kosovës dhe Serbisë në Jarinë. Fotografi nga arkivi.

Pika e kalimit kufitar midis Kosovës dhe Serbisë në Jarinë. Fotografi nga arkivi.

Kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Beogradi zyrtar i quan kalime administrative, pasi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Debati verbal u shndërrua në përleshje fizike, gjatë së cilës ai mori goditje, duart i ishin përdredhur, i ishin vënë pranga dhe ishte mbyllur në një dhomë të errët. Pas gati pesë orësh, më në fund ishte liruar”, thuhet në raportin “Gjendja e të drejtave të njeriut në veriun e Kosovës”.

Ndërkohë, drejtori i organizatës joqeveritare Aktiv, Miodrag Miliçeviq, në mes të nëntorit 2022 njoftoi se ishte subjekt i “maltretimit fizik dhe verbal” nga pjesëtarët e Policisë Speciale të Kosovës, sepse nuk kishte dokumente të Kosovës. Policia e Kosovës e mohoi një gjë të tillë, por ai gjithsesi e raportoi rastin në Inspektoratin Policor.

“Inspektorati Policor i Kosovës ka përfunduar hetimin dhe rastin e ka dorëzuar në prokurori, nga të cilët deri më sot nuk kam marrë asnjë përgjigje”, theksoi Miliçeviq.

REL-i i është drejtuar Prokurorisë me pyetjen se deri ku kanë arritur rastet që po trajton Inspektorati Policor i Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje.

Sjellja e policisë së Kosovës ka ngjallur reagime edhe nga disa përfaqësues politikë serbë në Kosovë. Aleksandar Arelnijeviq, lider i Demokracisë Serbe, në fund të qershorit tha se policia nuk reagoi kur ai u sulmua në Gazimestan afër Prishtinës në praninë e tyre.

Ai publikoi pamjet e këtij sulmi në rrjetet sociale, pas së cilës reagoi ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, si dhe zëvendësi i Avokati i Popullit, Sërxhan Sentiq. Rashiq bëri thirrje për një hetim urgjent të këtij rasti, ndërsa Sentiq i bëri thirrje Inspektoratit Policor që të reagojë.

Radio Evropa e Lirë

Kontribuoi: Maja Fiqoviq

Jep dorëheqjen kryetari i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës

Besnik Boletini ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), për shkak të mosmarrjes së masave për personat përgjegjës që transmetuan në RTK një pjesë të artikullit të portalit boshnjak, “Slobodna Bosna” .

Boletini njoftoi përmes Facebookut se gjatë këtyre javëve, “kundër vështirësive” ka pasur përpjekje që të adresohet “skadali i publikimit të një artikulli të paverifikuar”. Por, shtoi se në RTK nuk ka vullnet që të ndërmerren masa ndaj përgjegjësve për këtë rast.

“Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta [që i ka përgjegjësitë e drejtorit] nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”, shkroi Boletini në Facebook.

Në artikullin e “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë), të publikuar në korrik, supozohej se disa media të caktuara në rajonin e Ballkanit i janë nënshtruar regjimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit.

Në atë artikull janë përmendur edhe dy portale të Kosovës: “Nacionale” dhe “Periskopi”.

Në Kosovë ka pasur reagime rreth këtij artikulli, kryesisht për faktin që RTK-ja transmetoi një pjesë të tekstit dhe ai më pas është shpërndarë prej disa deputetëve të partisë në pushtet.

Pas publikimit të një pjese të artikullit të portalit serb në RTKlive dhe në RTK, Bordi i RTK-së u mbodh më 23 korrik dhe shprehu shqetësim për publikimin e “artikullit kontrovers në RTK.

Bordi e kishte cilësuar publikimin e tij si “ “lëshim të qartë”, duke kërkuar sqarime të detajuara nga menaxhmenti. Për këtë çështje ishte formuar një komision.

Më 24 korrik, 16 organizata joqeveritare dhe tre aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Çfarë portali është “Slobodna Bosna”?

Boro Kontiq, gazetar veteran nga Bosnja dhe Hercegovina dhe drejtor i Qendrës Mediale në Sarajevë, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se, “Slobodna Bosna” është një media e themeluar në vitet 1989-1990 nga Senad Avdiq.

Sipas mendimit të tij, Avdiq ishte një nga gazetarët më të mirë në atë kohë dhe “Slobodna Bosna” një nga mediat kryesore të besueshme që luajti një “rol revolucionar” në vitet 1990 në nxjerrjen në pah të planit për rrethimin e Sarajevës nga ushtria jugosllave.

“Për shumë, ajo ishte një surprizë, por doli që shumica e asaj që publikuan ishte e vërtetë”, ka thënë Kontiq gjatë muajit korrik.

Megjithatë, ai ka thënë se nuk e di nëse mund të flasë më për besueshmëri, pasi ky portal ka pësuar disa ndryshime. Në mesin e viteve ’90, kjo media u kthye në gazetë të përjavshme dhe në 15 vjetët e fundit është vetëm online.

“Në një moment u fol shumë se ata u mbështetën nga SDA [Partia e Veprimit Demokratik], partia më e madhe boshnjake. Nuk e di se çfarë po ndodh. Unë njoh disa nga gazetarët që punojnë atje, janë gazetarë të mirë, profesionistë. Prandaj, është një media që ka një të kaluar të madhe, por çfarë është sot, t’iu them të drejtën, nuk e di”, ka thënë mes tjerash Kontiq. REL

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen me 9 shkurt të vitit 2025

VOA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi të premten mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare me 9 shkurtin të vitit të ardhshëm, duke bërë kësisoj qeverinë aktuale, të parën në vend që çon mandatin e saj deri në fund.

Shpallja e datës së zgjedhjeve pasoi këshillimet me partitë politike që kishin propozuar që ato të mbaheshin me 26 janar ose në fillim të muajit shkurt.

Presidenca e Kosovës tha se “data 9 shkurt të vitit 2025 u zgjodh si një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira. Presidenca ka vlerësuar se është me rëndësi që fushata zgjedhore të fillojë pas përfundimit të një sërë festash kalendarike të cilat vazhdojnë deri me datën 7 janar”.

Presidenca thotë se tashmë ka ftuar Bashkimin Evropian që të dërgojë një mision për vlerësim paraprak dhe një mision vëzhgues për vëzhgimin e fushatës zgjedhore dhe ditën e votimeve.

Presidentja Osmani sipas një komunikate shtypi u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që të angazhohen në këtë proces me seriozitetin dhe përkushtimin “duke ruajtur standardet demokratike dhe rregullat më të larta të etikës, në mënyrë që Kosova të vazhdojë të mbetet shembull i zgjedhjeve të lira e demokratike”.

Sipas ligjit zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen jo më herët se 60 ditë dhe jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të parlamentit. Legjislatura aktuale u mblodh me 22 mars të vitit 2021.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë Memli Krasniqi shkroi në rrjetet sociale se është e rëndësishme “se tani kemi një datë, e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papërgjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku bëri thirrje në rrjetet sociale që “më 9 shkurt, le të ringritemi si një!”.

Kryetari i Aleancës përr Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se po vjen koha e ndryshimit dhe bashkimit. “Ta rikthejmë Kosovën në mesin e shteteve normale! Drejt fitores me 9 shkurt 2025!”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Me 14 shkurt të vitit 2021, lëvizja Vetëvendosje së bashku me lëvizjen Guxo të presidentes Vjosa Osmani, dolën fituese në zgjedhjet parlamentare duke siguruar mbi 50 për qind të votave.

Të dy udhëheqësit vitin e fundit janë përballur me mospajtime posaçërisht rreth marrëdhënieve të Kosovës me aleatët perëndimorë, të cilët kanë kritikuar disa nga veprimet e qeverisë kundrejt situatës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Shpallja e zgjedhjeve mbylli debatet në skenën politike gjatë këtij viti. Në muajin maj Partia Demokratike në opozitë propozoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Kosovës për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme dhe që ato të mbahen në fillim të muajit korrik.

Nisma dështoi megjithëse u mbështet nga partia në pushtet, meqë dy partitë tjera në opozitë kundërshtuan një hap të tillë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti si kusht për shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Gjeneral Lejtnant Kadri Kastrati: Mendoj se Ura e Ibrit do të duhej të hapej dhe nuk shoh asnjë problem

Në rubrikën “Çështja e Ditës, me gazetarin Renaldo Salianji, në News24, është diskutuar lidhur me hapjen e Urës së Ibrit.

Gjeneral Lejtnant Kadri Kastrati, ish-komandant i FSK, tha se është ngritur shumë tymnajë lidhur me hapjen e Urës së Ibrit. Ai tha se nuk ka ndodnjë rrezik që situata e sigurisë të përkeqësohet në pjesën e Mitrovicës Veriore ose Jugore.

“Mendoj se Ura do të duhej të hapej dhe nuk shoh asnjë problem”, tha Kastrati. Ai u shpreh se që nga viti 1999 Serbia ka krijua institucionet paralele, ka ngritur misionet e sigurisë, që ata e konsiderojnë si Brigada veriore, të gjithë të stërvitur këta, dhe e vetmja gjë që ka mbetur pa u shtrirë sovraniteti është pikërisht Ura e Mitrovicës.

Kastrati e konsideroi atë si Murin e Berlinit, pasi kështu e sheh ndarjen Serbia. “Ura e Mitrovicës duhet të hapet qoftë për bizneset, ashtu edhe për komunitetet”, tha Kastrati.

Në vijim ai u shpreh se BE dhe ndërmjetësuesit e Bashkimit Europian po mbajnë anën e Serbisë, po bëjnë politika të dyfishta.

Kastrati tha se Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë hapash për të shtrirë sovranitetin dhe ligjshmërinë edhe në Veri, atje ku ka dominuar bandat apo Lista Serbe. Kastrati tha se atje edhe vetë komuniteti serb ka qenë peng i këtyre bandave kriminale.bw


Send this to a friend