VOAL

VOAL

‘Veç 3% e serbëve admirojnë SHBA’, Basha i VV: Rroftë populli shqiptar, populli më proamerikan në botë

Deputeti i VV, Dimal Basha, ka cituar një sondazh të publikuar në ‘New York Times’, shkruan Syri.net Kosova

Sipas atij sondazhi, vetëm 3% e serbëve thanë se i admirojnë SHBA-të dhe se dëshirojnë të kenë marrëdhënie të mira me ta.

Basha, tutje ka shkruar se, nuk ka Asociacion që i bënë ta duan Amerikën, sepse Putinin e kanë idol, dhe këtë frymë e ka krijuar vetë Vuçiq partneri (Sic!).

Basha ka përfunduar, duke shkruar: Rrnoftë populli shqiptar, populli më pro-amerikan në botë.

NATO shtoi personelin pas tensioneve në Veri, Shtëpia e Bardhë publikon raportin për numrin e ushtarëve amerikanë në Kosovë

Shtëpia e Bardhë ka publikuar raportin vjetor të Kompetencave të Luftës rreth dislokimeve të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të pajisura për luftim.

Në kuadër të këtij raporti, SHBA ka publikuar një pjesë edhe për Republikën e Kosovës.

Aty thuhet se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kontribuojnë me forca në Forcën e Kosovës (KFOR), të udhëhequr nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut në bashkëpunim me autoritetet lokale, partnerët dypalësh dhe institucionet ndërkombëtare, për të penguar armiqësitë e ripërtërira në Kosovë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, përafërsisht 591 personel ushtarak të Shteteve të Bashkuara janë në mesin e rreth 3,800 pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Trupat e KFOR-it, që janë nga 27 shtete të botës, punojnë që të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Mandati i tyre buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 10 qershor 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike të Kumanovës.

Kjo marrëveshje parashikon tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare.

Ajo u nënshkrua midis KFOR-it dhe autoriteteve të ish-Jugosllavisë, duke i dhënë fund bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.

Numri i ushtarëve të KFOR-it në Kosovë ndër vite është zvogëluar, pas përmirësimit të situatës në veri.

Por, pas rritjes në veri të Kosovës në fund të majit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar për rritjen e numrit të trupave, duke shtuar se numri i tyre mund të rritet edhe më shumë, për të qetësuar dhunën në veri.bw

Kreu i LDK hedh poshtë propozimin e Ramës: S’ka asnjë vlerë pa vulën e Qeverisë së Kosovës

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se propozimi, që nuk e ka autorësinë e institucioneve të Kosovës, nuk ka vlerë.

Në këtë mënyrë, Abdixhiku e shprehu qëndrimin e tij si kryetar i LDK-së për propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili dorëzoi një draft për Asociacionin.

”Ne nuk e dimë motivin e Shqipërisë zyrtare pse ka dalë me një qëndrim të tillë”, tha fillimisht Abdixhiku në Pressing të T7.

Më pas, ai tha se nëse nuk ka autorësi të Kosovës, propozimi mund të bëhet pjesë i diskutimit, por jo edhe i implementimit.

”Atë që duhet ta them është që as një propozim që nuk ka autorësi të institucioneve të Kosovës, nuk ka vlerë për Kosovën”, tha Abdixhiku. /Gazeta Express

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës reagon pas deklaratave të Ramës: “Agjentët” e idesë së shkëmbimit të territoreve janë vënë në lëvizje

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj ka reaguar sot pas lajmeve për sanksione ndaj Albin Kurtit dhe lajmit se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka dorëzuar kancelarit gjerman dhe presidentit francez një version të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Haradinaj në një postim në Twitter shkruan se agjentët e idesë së shkëmbimit të territoreve janë vënë në lëvizje për jetësimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive.

“Pra tash ‘agjentët’ e idesë së shkëmbimit të territoreve janë vënë në lëvizje për jetësimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Të mos gabohemi. Qëllimi mbetet i njëjtë: ndarja e Kosovës!!”, shkruan Haradinaj.bw

Albin Kurti takon kampionët e xhudos: Rrugëtimi i Majlindës është shembull!

Rrugëtimi i Majlinda Kelmendit është një shembull që Albin Kurti mundohet ta ndjekë në pozitën e kryeministrit të Kosovës.

E ka thënë vetë i pari i qeverisë, teksa ka marrë pjesë në demonstrimin e xhudos nga Kampionia Olimpike e Xhudos, Majlinda Kelmendi, në sallën sportive “Minatori”, në Mitrovicë. Në këtë aktivitet i cili zhvillohet në kuadër të programit “Kosova, shteti i xhudos” dhe ka për qëllim promovimin e vlerave dhe sportit të xhudos, Kurti ka shprehur kënaqësinë dhe nderin që në atë mes ishte e pranishme kampionia e parë e Kosovës, Majlinda Kelmendi, njofton RTK.

“Rrugëtimi i Majlindës është shembulli të cilin të gjithë ju duhet të synoni ta ndiqni në cilindo angazhim tuajin në jetë. T’ju them të drejtën, po mundohem ta ndjekë edhe unë personalisht në detyrën që kam”, ka thënë Kurti. “Majlinda, me rrugëtimin e saj të karrierës sportive u bë simbol i shpresës dhe i përkushtimit në Republikën e Kosovës e anembanë botës. Sot, me kokën lartë dhe me shumë thjeshtësi, Majlinda vazhdon të mbetet sinonim i inspirimit dhe i suksesit për secilin prej nesh. Qëndrueshmëria ndaj vështirësive, përkushtimi për triumf, dhe modestia ndaj suksesit – janë tri virtyte të Majlindës të cilat e bëjnë atë: Kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione përjetë”.

Gjatë fjalës së tij, Kurti ka vlerësuar lart edhe kontributin e trajnerit të xhudos Driton Kuka, i cili që nga viti 2009 i ka sjell Kosovës mbi 200 medalje nga arenat ndërkombëtare sportive, 87 të arta, përfshirë edhe 3 medaljet e arta olimpike.

“Një ndër trajnerët më të mirë të botës, kryemjeshtri Driton Kuka, që nga viti 2009 i ka sjellur Kosovës mbi 200 medalje nga arenat ndërkombëtare sportive, prej tyre 87 të arta, përfshirë këtu edhe 3 medaljet e arta olimpike. Për këtë, sporti i xhudos në përgjithësi, ndërkaq në veçanti Toni, Majlinda, Distria e Nora, janë pjesë e pandashme e historisë tonë kolektive për shtetndërtim dhe zhvillim dhe suksese. Këto rezultate të përvitshme të xhudos, kanë shërbyer si inspirim për neve që së bashku me Federatën e Xhudos ta iniciojmë dhe ta zhvillojmë programin “Kosova, shtet i xhudos””, ka thënë ai.

Nën praninë e nxënësve të shkollave të ndryshme mitrovicase, Kurti ka njoftuar këta ta fundit se me vitin e ri shkollor, do të fillojë integrimi i xhudos në orët mësimore, me ç’rast nxënësit do të fillojnë të ushtrojnë sportin e xhudos nëpër shkollat e tyre.

“Që nga fillimi i këtij viti, ky program po troket në derën e secilës shkollë në Kosovë. Kështu si ju sot, çdo ditë tjetër edhe bashkëmoshatarët tuaj kudo në Kosovë po njoftohen me sportin dhe teknikat e xhudos përmes demonstrimeve që i bëjnë kampionët tanë. Me vitin e ri shkollor, do të fillojë integrimi i xhudos në orët tuaja mësimore. Rrjedhimisht ju do të filloni të ushtroni sportin e xhudos nëpër shkollat tuaja. Jam shumë i lumtur që përfundimin e këtij viti shkollor po e bëni duke parë xhudo, ndërsa vitin e ardhshëm do ta filloni duke ushtruar xhudo. Edhe jam shumë i bindur që në secilën shkollë do të identifikohen shumë talente të cilëve do të ju ofrohet mundësia të ndjekin rrugën e Majlindës drejt sukseseve kulminante”, është shprehur ai. “Tani është koha që xhudo atë që e ka bërë për Kosovën ndër vite, ta bëjmë ne për ta”.

Escobar kërkoi zgjedhje të reja në veri para korrikut, Kurti në “France24”: Mund t’i mbajmë pas disa muajve

Për situatën e krijuar në veri dhe kërkesat e ndërkombëtarëve për çtensionimin e shpejtë të situatës, në televizionin France24, ka folur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë intervistës disa minutëshe, Kurti ka thënë se zgjedhje të parakohshme në veri mund të ketë pas disa muajve. Kurti ka thënë se zgjedhjet mund të ketë vetëm pas heqjes së grupeve të dhunshme nga veriu.

“Pas disa muajve mund të kemi zgjedhje të parakohshme, por ky nuk është qëllimi. Qëllimi është sundimi i ligjit. Duhet së pari të heqim bandat e dhunshme dhe vetëm atëherë mund të kemi zgjedhje”, ka deklaruar kryeministri.

Ndërkohë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se zgjedhjet e reja në katër komunat në veri nuk duhet ta presin fundin e korrikut.

Po ashtu, kryeministri Kurti ka thënë se zgjedhjeve duhet t’i paraprijë edhe një kampanjë e lirë dhe e drejtë. Ai ka deklaruar se në Kosovë nuk mund të merret pushteti pa pjesëmarrje në zgjedhje.

“Së pari na duhet një kampanjë e lirë dhe e drejtë, e pastaj zgjedhje të parakohshme. E di që di këta katër kryetarë nuk do të rizgjidhen. Por në Kosovë s’mund ta marrësh pushtetin pa pjesëmarrje në zgjedhje”, ka deklaruar kryeministri.

Për katër kryetarët shqiptarë në komunat veriore, Kurti ka thënë se legjitimiteti i tyre është i ulët, por ka deklaruar se nuk është faji i tyre për bojkotin e zgjedhjeve në këto komuna.

“Nuk është faji i kryetarëve aktualë, që kishte dalë dalje të ulët në zgjedhje. Ata janë legalë. Është e vërtetë që legjitimiteti i tyre politik është i dobët, por i të tjerëve është zero”, ka thënë tutje ai.

Sipas kryeministrit, për shkak se ka dështuar ideja e shkëmbimit territorial me Serbinë, tani kjo përpjekje është bërë e dhunshme.

“Para disa viteve, shkëmbimi kufitar ishte eufemizëm për ndarjen e Kosovës. Tani, projekti për ndarjen e Kosovës, është bërë i dhunshëm. Serbia dhe Rusia e urrejnë faktin që Kosova është histori suksesi e ndërhyrjes së NATO-s dhe progresit ekonomik dhe demokratik”, ka thënë në fund ai.bw

Escobar dhe Lajçak: Ulje tensionesh, zgjedhje të reja në veri të Kosovës dhe kthim në tryezën e bisedimeve

VOA

Pas më shumë se dy orë diskutimesh me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan Gabriel Escobar shfaqën shpresën për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Zoti Lajçak tha se në takim u paraqitën propozimet me tri elemente: “i pari shtensionimi i situatës në terren, i dyti, zgjedhjet e reja sa më parë në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”.

Zoti Lajçak i cilësoi të gjata, të hapura dhe të vështira diskutimet me kryeministrin Albin Kurti për këto propozime.

I dërguari amerikan tha se nuk ka parë kurrë me parë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik.

“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe çdo mik i Kosovës i ka bërë të njëjtat kërkesa. Shpresoj se do të dëgjohemi”, tha zoti Escobar.

Një gjë dua të them, “erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën. Duam që Kosova të përmbushë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë suaj tokësore. Krejt çfarë po kërkoj është të dëgjohemi”, theksoi zoti Escobar.

Tensionet në veri të Kosovës pasuan zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Kryetarë komunash u zgjodhën kandidatët e partive shqiptare dhe dërgimi i tyre në zyrat komunale nën përcjelljen e njësive të posaçme të policisë, nxiti reagime dhe grupe serbësh u hodhën në protesta të cilat u përshkuan me dhunë të hënën e kaluar duke shkaktuar plagosjen e 30 pjesëtarëve të KFOR-it dhe duke nxitur shqetësime për ripërtëritje të konfliktit në rajon.

Grupe qytetarësh serbë që nga 26 maji u mblodhën çdo ditë para ndërtesave të komunave për të kundërshtuar hyrjen në zyra të kryetarëve shqiptarë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës zhvendosjen e përkohshme e kryetarëve të rinj në zyra të tjera alternative dhe siç tha zoti Lajçak të hënën në mbrëmje, në veri duhet të jenë kryetarë që kanë legjitimitet.

Nga Serbia ndërkaq kërkohet tërheqja e forcave të armatosura serbe të stacionuara afër kufirit me Kosovën dhe ulja e gjendjes së gatishmërisë, ruajtja e qetësisë së protestuesve në veri dhe sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje të reja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas një komunikate të zyrës së tij, citohet të ketë thënë se “rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve”. Ai ftoi Brukselin dhe Uashingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj, thuhet në komunikatë në të cilën theksohet se “vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore”.

Komunikata citon kryeministri Kurti të ketë thënë po ashtu se “rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”.

Bashkimi Evropian të shtunën paralajmëroi se dështimi për të bërë hapa në shtensionim të situatës do të ketë pasoja negative për të dyja palët. Të hënën BE-ja tha se pas raportimit të zotit Lajçak lidhur me takimet në Kosovë dhe Serbi, shefi i politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell, do t’i njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejmë.

Nën trysninë perëndimore udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që zgjedhjet e reja duhet të mbahen në komunat veriore të banuara me shumicë serbë, por kanë akuzuar njëri tjetrin për situatën në terren.

Të hënën Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës tha se do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja por pasi të jenë larguar njësitë e posaçme të policisë nga zona dhe të jetë themeluar Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Tensionet në veri nxitën debate të brendshme në Kosovë. Opozita kritikon ashpër qeverinë për veprime të cilat nuk janë bashkërenduar me aletatët e Kosovës dhe dëmtim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, të cilat pezulluan pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga stërvitjet “Defender Europe 2023” dhe paralajmëruan masa të tjera ndëshkuese.

Manuel Sarrazin: Në protestat në Kosovë ka edhe huliganë nga Serbia

I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor thotë se komuniteti ndërkombëtar është shumë i zemëruar dhe i zhgënjyer pas protestave në të cilat u plagosën demonstrues dhe pjesëtarë të KFOR-it.

I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, gjykon se situata në veri të Kosovës aktualisht është e qetë, por ende jashtëzakonisht e paqëndrueshme, shkruan AlJazeera.

Ai tregon se bashkësia ndërkombëtare është shumë e zemëruar dhe e zhgënjyer pas protestave në të cilat u lënduan demonstrues dhe pjesëtarë të forcave ndërkombëtare të sigurisë.

Sarrazin theksoi për “Table Berlin” se pyetja qendrore mbetet ende e pazgjidhur – si të arrihet “integrimi i plotë” i serbëve në veri të Kosovës?

Protestat e fundit u ndezën pas zgjedhjes së politikanëve shqiptarë për kryetarë komunash në veri të Kosovës, në zgjedhjet e parakohshme që u bojkotuan nga serbët, duke bërë disa kërkesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përfshirë formimin e një bashkimi të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

I pyetur se pse autoritetet e Kosovës i kanë injoruar paralajmërimet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së për të mos emëruar kryetarë të komunave në veri të Kosovës, Sarrazin tha se qeveria e kryeministrit Kurti insiston në emërimin e kryetarëve të zgjedhur, duke shtuar se problemi nuk do të zgjidhet derisa shumica serbe në katër komunat në veri të Kosovës nuk shkon në zgjedhje.

“Të gjithë janë përgjegjës për veprimet e tyre”.

Fillimisht, më duhet të them atë që i thashë drejtpërdrejt kryeministrit Kurti: secili është përgjegjës për veprimet e tij”, tha Sarrazin.

Ai e ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se ka mbjellë mosbesim shtesë me deklaratat e tij dhe ka vërejtur se vendimi i Qeverisë së Kosovës për futjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës me shoqërim të fortë policor ishte gabim, për të cilin përgjegjësi politike mbajnë autoritetet e Kosovës.

Sipas Sarrazin, prioritet është kthimi në tryezën e bisedimeve në kuadër të marrëveshjes që Serbia dhe Kosova arritën me mbështetjen e BE-së, si kusht që të dyja palët të vazhdojnë rrugën e anëtarësimit në BE, duke qetësuar situatënnë Kosovë dhe zgjedhje të reja.

I pyetur se cila është përgjegjësia e palës serbe, Sarrazin tha se përgjegjës janë ata që sulmuan pjesëtarët e KFOR-it dhe policisë para ndërtesave komunale në Kosovë.

Ai pohoi se gjatë protestave në Kosovë ka pasur “huliganë” të cilët kanë ardhur në veri të Kosovës nga Serbia.syri.net

Image

KFOR-i heq telat me gjemba në Zveçan

Pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë hequr një pjesë të telave me gjemba që i ka vendosur ditë më parë, për të rritur sigurinë.

Telat me gjemba janë parë, një ditë pas përleshjes që ka ndodhur mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të KFOR-it.

NATO-ja dhe diplomatë vendorë e të huaj i kanë dënuar sulmet në instancat më të larta. syri.net

Lista Serbe me dy kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet eventuale

Radio Evropa e Lirë

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka thënë të hënën se do të marrë pjesë në zgjedhje, që eventualisht do të mund të mbahen për komunat në veri, kur t’i plotësohen dy kushte.

Ajo ka thënë se forcat speciale të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu i Kosovës, dhe që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Lista Serbe i ka bojkotuar zgjedhjet e mbajtura për kryetarë të komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – dhe as nuk i njeh kryetarët e rinj shqiptarë.

Duke folur për tensionet në veri, Lista Serbe ka thënë se çelësi për ulje të tensioneve është që të mos ketë forca speciale të Policisë së Kosovës në veri dhe që kryetarët, që ajo i konsideron “të paligjshëm”, të mos shkojnë në ndërtesat komunale.

Ajo e ka përmendur edhe nevojën për lirimin e dy serbëve të paraburgosur nga autoritetet e Kosovës, ditë më parë, gjatë përleshjeve në Zveçan.

Ata dyshohen për “veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.

*Lista Serbe ka kërkuar ndërhyrjen editoriale në këtë lajm, për çka REL-i nuk është pajtuar. Përgjigja e Listës Serbe pasoi pyetjen e REL-it nëse Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhjet në veri dhe me çfarë kushtesh.

Në qytetin e Pejës, më 13 tetor 2023, me rastin e 120 vjetorit të lindjes, mbahet sesion shkencor me temën: ”Profesor Ernest Koliqi mendjendrituri”

Në qytetin e Pejës  më, 13 tetor  2023 me rastin e 120 vjetorit të lindjes  mbahët sesion shkencor me temën:” Profesor Ernest Koliqi mendjendrituri  dhe dritëdhënësi i kombit shqiptar ”

Shoqata ”Trojet e Arbrit”  në bashkëpunim me”  Qendrën për Studime Shoqërore dhe Historike”,  në qytetin e Pejës  më, 13 tetor  2023 organizojnë Sesionin e VII-të, të veçantë shkencor  për Profesor Ernest Koliqin, me rastin e 120- vjetorit të lindjës me temën: ”Profesor Ernest Koliqi mendjendrituri  dhe dritëdhënësi i kombit shqiptar”.

Në këtë sesion shkencor do të trajtohën tema të ndryshme lidhur me veprimtarinë atdhetare, shkencore, letrare, politike, dhe antikomuniste të Profesor Ernest Koliqit.

Të flasësh dhe shkruash për profesor Ernest Koliqin duhet një angazhim i madh për të gjitha ato vepra që i bëri në shërbim të kombit shqiptar dritëdhënësi dhe mendjendrituri  i kombit tonë profesor Ernest Koliqi.

Ai prej dritëjetës e deri tek dritëvdekja më një përkushtim të madh dhe një angazhim të pashoq la vepra të shkruara dhe e orientoi me shkrimet e tij Shqipërinë Etnike drejt lindjes se diellit perëndimor.

Profesor Koliqi ishte dritëdhënesi i fillimit te arsimimit shqip në Kosovë ku në të gjitha pjesët e Dardanisë ai i solli rrezët e diturisë.

Shoqata ”Trojet e Arbrit ”fton të gjithë studiuesit shqiptar anë  e kënd trojeve etnike shqiptare dhe nga mërgata e madhe atdhetare në Evropë dhe Amerikë që të marrin pjesë në këtë sesion shkencor madhështor.Studiuesit fillimisht duhet bërë një projekt të shkurtër te temës që do ta elaborojnë.

Temat mund t’i dërgoni në këto email adresa: [email protected] dhe [email protected].

Sesioni shkencor do të mbahet në Pejën e Lekë Dukagjinit bashkëluftëtarit më të afert të Gjergj Kastriotit i cili pas vdekjes se Gjergj Kastriotit 1468 e deri në vitin 1479 për plot 11 vite i udhëheqi kryengritjet shqiptare kundër Peradorisë Osmane.

Ju mirëpresin: Shoqata Trojet e Arbrit –Prishtinë

Qendra për Hulumtime Shoqërore dhe Historike- Pejë

Kurti falenderon për qendresën, kryetarin e Leposaviqit, vëllanë e dëshmores së UÇK

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka falënderuar sot kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin, për qëndresën e tij në krye të detyrës në këto ditë të vështira në veri të Kosovës.

Albin Kurti vuri në dukje faktin se Lulzim Hetemi, vëllai i dëshmorës së UÇK, Fatmire Hetemi, nuk po trembet nga kërcënimet e shumta që po i bëhen nga strukturat kriminale të nxitura nga Beogradi, që të lërë detyrën e tij.

Kurti shkroi në Fb: “Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, për çdo ditë i merr mesatarisht nga dhjetë kërkesa të ndryshme prej shumë anëve që të dalë prej zyrës së tij.

Çka s’i thonë: Disa e marrin me të mirë, disa jo më të mirë e disa të dyja këto, njërën pas tjetrës. Lulzim Hetemi është vëllai i dëshmores Fatime Hetemi, që ra heroikisht si ushtare e UÇK-së bashkë me Fehmi e Xhevë Lladrovcin më 22 shtator 1998.

E falënderoj kryetarin Lulzim nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj,” nënvizoi Albin Kurti./SYRI.NET

Kurti vizitoi punimet në segmentin e rrugës Plavë-Sharr

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë vizituar dje segmentin e rrugës Plavë-Sharr, rrugën e asfaltuar në hyrje të Dragashit dhe kanë takuar po ashtu kryetarin e Komunës, Bexhet Xheladini dhe zyrtarin komunal për komunitete dhe kthim, Uzair Hamza.

Në komunikatë për media thuhet se kryeministri i ka falënderuar qytetarët e Dragashit për bashkëjetesën atje, por edhe kryetarin, si dhe të gjitha partitë politike të cilët bashkëpunojnë dhe në këtë mënyrë mundësojnë jetën e mirë.

‘’Dragashi ka nevojë për më shumë investime dhe prandaj ne po përpiqemi që të bëjmë sa më shumë infrastrukturë. Do ta përfundojmë edhe rrugën e cila e lidh Restelicën me kufirin me Maqedoninë e Veriut, me komunat e Mavrovës dhe të Gostivarit atje’’, është shprehur kryeministri Kurti.

Ndërkaq, Ministri Aliu tha se sot bashkë me Kryeministrin Kurti, kolegë e bashkëpunëtorë, vizituan punimet në segmentin e rrugës Plavë-Sharr, rrugëve që tashmë kanë marrë një dinamikë të re të zhvillimit të punimeve. Ai tregoi se kjo rrugë është e ndarë në dy Lote, Lot 1: Zhur – Dragash dhe Lot 2: Dragash – Brod, me vlerë të përgjithshme prej: 7,731,053.31 euro.

Thuhet se realizimi i punimeve deri tani ka përfunduar rreth 70%, dhe pritet që të jetë plotësisht e hapur dhe e aksesueshme për të gjithë drejtuesit e automjeteve deri në vitin e ardhshëm.

Kryeministri gjatë vizitës në Komunën e Dragashit pati takim edhe me kryesuesin e Asamblesë komunale, Uran Halimi dhe përfaqësues të komunës.

“Ndërkaq, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka ndihmuar këtë komunë përmes thirrjeve të ndryshme për komunitetet, ku 3 milionë euro janë ndarë për fermerët dhe prodhuesit e vegjël, për OJQ-të që ndihmojnë në punësimin e komuniteteve dhe për vende pune në biznese të reja dhe ato ekzistuese. Thirrje nga Zyra për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit për mediat me bazë në komunitet, për aktivitete kulturore për komunitetet, si dhe për aktivitetet e OJQ-ve që ndihmojnë në punësim. Gjithashtu këtë vit do të ndahen 5 bursa për programin e studimeve ballkanistike në Universitetin e Prishtinës për studentë nga komunitetet jo shumicë, etj”, thuhet në komunikatë.

Përndryshe, Dragashi është komuna me përqindjen më të lartë të komuniteteve jo shumicë, rreth 41%. syri.net

NATO mirëpret vendosjen e ushtarëve turq në Kosovë

Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli e cila i shërben Aleancës së NATO-s përmes përgatitjes, planifikimit dhe kryerjes së operacioneve ushtarake, e ka mirëpritur vendosjen e Batalionit Rezervë Operacional të Turqisë në Kosovë për ta përforcuar KFOR-in.

JFC Napoli ka shkruar në Twitter se po monitoron nga afër situatën dhe se KFOR-i mbetet i përkushtuar në ndërtimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë. syri.net

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla viziton veriun: Sovraniteti është i patjetërsueshëm

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla sot ka vizituar pjesëtarët e Policisë së Kosovë në veri të vendit.

Sveçla ka qëndruar sot në Jasenovik, në pendën e Liqenit të Ujmanit, në Zubq, në Junake e në Urën e Bistricës.

Ai ka shkruar në Facebook se sovraniteti është i patjetërsueshëm.

“Me vajzat dhe djemtë e Policisë së Kosovës që nuk kursejnë asgjë në mbrojtje të sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë. Në shoqëri normale demokratike, Republika është e veshur me sovranitet. Sovraniteti është i patjetërsueshëm. Faleminderit”, ka shkruar ai. syri.net

Amerikania Kimberly West emërohet kryeprokurore në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë

VOA

Ish prokurorja amerikane Kimberly West është emëruar në postin e kryeprokurores në Dhomat e Specializuara, siç quhet Gjykata e Posaçme me seli në Hagë që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Zponja West do të zërë vendin e ish kryeprokurorit Jack Smith, i cili në nëntor të vitit 2022 u emërua prokuror i posaçëm për hetimet ndaj ish presidentit amerikan Donald Trump.

“Është një nder që jam përzgjedhur në këtë rol të rëndësishëm dhe sfidues”, citon zonjën West një komunikatë e Prokurorisë së Specializuar.

Zonja West kishte punuar prokurore për më shumë se dy dekada në Shetet e Bashkuara, ndërsa nga viti 2008 deri në vitin 2013 kishte shërbyer si prokurore në Gjykatën Ndërkombëtare për krime luftë në hapësirat e ish Jugosllavisë, s pjesëtare e ekipit që ndoqi penalisht ish udhëheqësin e serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç, për rolin e tij në gjenocidin në Srebrenicë. Ajo ishte gjithashtu në ekipin e prokurorëve në trajtimin e krimeve të kryera në Mostar të Bosnjës nga forcat kroate.

Zonja West bëhet kryeprokurorja e tretë në Dhomat e Specializuara që u themeluan në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe veprojnë në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar.

Themelimi i Gjykatës së Posaçme pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, që përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por kjo çështje nuk është përfshirë në asnjë nga akuzat e deritashme ndaj ish pjesëtarëv të UÇK-së.

Në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e dënoi me 26 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi gjatë luftës në Kosovë.

Në fillim të muajit prill nisi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarë të lartë politik, Jakup Krasniqi, KAdri Veseli e Rexhep Selimi, të gjithë ish udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akzuat për krime lufte dje krime kundër njerëzimit. Ata akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Aktualisht po zhvillohet edhe procesi kundër ish pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i akuzuar për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Që të gjitha i kanë mohuar akuzat, të cilat kanë nxitur reagime në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.

Lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Dardan Molliqaj: Jam pro ndryshimit të kufijve. Serbët e Veriut të bëjnë referendum për vetëvendosje

I ftuar në emisionin Çim Peka Live në SYRI TV ishte, Dardan Molliqaj, kreu i Partisë Socialdemokrate te Kosovës.

Molliqaj është shprehur se “ajo që ne prezantojmë si një ide për të zgjidhur konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë është ri-përcaktimi i kufinjve si një zgjidhje më e mirë dhe më e qëndrueshme”.

“Nuk duhet në asnjë rrethana që të prishim marrëdhëniet me SHBA dhe Kurti duhet që t’i rikthehet qytetarëve për një mendim, se përballë kemi disa opsione dhe cilën duhet të zgjedhim për të vazhduar përpara. Shumë e rëndësishme që në dialog të përmbysim tezën, para se të flasim për sasinë e kompromisit dhe rezultatet që nxjerrim nga ajo .

Kritika jonë ndaj marrëveshjes që Kurti i ka pranuar në Ohër është në dy drejtime sepse marrëveshja është koncesion i dëmshëm sepse Serbia instrumentalizon politikën serbe në Kosovë dhe më e rëndësishmja është se kjo nuk na zgjidh marrëveshjen.

 Ne jemi për ri-përcaktimin e kufijve si zgjidhje më e mire më e drejtë dhe më e qëndrueshme që siguron një paqe afatgjatë për Kosovën.”

Hovenier takohet me Kurtin: Po mendojmë si ta inkurajojmë Kosovën ta bëjë atë që duhet

Radio Evropa e Lirë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se SHBA-ja “po mendon se çfarë mjete të tjera ka për ta inkurajuar Qeverinë e Kosovës” ta qetësojë situatën në veri.

I pyetur për sanksionet potenciale që mund t’ia vendosë SHBA-ja Kosovës për moskoordinim me të, Hovenier tha se “ka pasur disa pasoja, por shpresoj ta kalojmë [këtë situatë] që të mos ketë pasoja të tjera”.

“Nuk jam në pozitë të them [cfarë mund të jenë pasojat e tjera]. Por, SHBA-ja po mendon se çfarë mjete të tjera ka për ta inkurajuar Qeverinë e Kosovës për ta bërë atë që ne mendojnë që është e rëndësishme të bëhet tani: arritjen e qetësimit të situatës”, tha Hovenier.

Ai shtoi se i takon Qeverisë së Kosovës ta bëjë këtë gjë, dhe jo SHBA-së.

Si pasojë e parë për situatën e krijuar në veri të vendit, ambasadori Hovenier bëri të ditur më 30 maj se “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund” për Kosovën.

Protestat në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Sveçla: Protestuesit serbë po detyrohen të nënshkruhen në lista, kërcënohen me largim nga puna

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dënuar veprimet e Listës Serbe dhe bandave kriminale në veri të vendit, shkruan Syri.net Kosova

Këtë deklaratë, Sveçla e bëri pas raportimeve se qytetarët serbë në veri po kushtëzohen për të marrë pjesë në protesta e organizime të detyruara nga Lista Serbe.

Sipas ministrit, ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë.

“Serbët e Kosovës në vazhdimësi nën trysni dhe kërcënime që të kryejnë veprime jashtë vullnetit të tyre Pas kushtëzimeve për të marrë pjesë në protesta e organizime të drejtuara nga Lista Serbe, protestuesit sot po detyrohen të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë. Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë. Kjo mund të nënkuptojë kërcënime dhe dhunë fizike ndaj tyre dhe familjarëve, largime nga puna si dhe dëmtim të pronave të atyre personave”, ka shkruar Sveçla.

Tutje, ai ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë qëndrojnë të angazhuara e përkushtuara maksimalisht në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë qëndrojnë të angazhuara e përkushtuara maksimalisht në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim. Dënojmë ashpër veprimet e vazhdueshme të Listës Serbe dhe bandave kriminale të drejtuara nga ta, me porosi të Beogradit. Këto taktika duhet të ndalen që qytetarët serb të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime”, shkroi tutje ai.

​Kurti ‘nuk lëshon pe’, nuk pranon që kryetarët t’i ushtrojnë detyrat në zyra paralele

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kryetarët e zgjedhur atje janë legalë dhe mandatin duhet të ushtrojnë në bazë të kompetencave të tyre.

“Nuk duhet të ketë paralelizma në veri, nuk pranojmë që kryetarët të ushtrojnë detyrat në zyra paralele”, ka thënë ai.

Ndërsa, lidhur me raportet me ShBA, Kurti ka thënë se ato janë të shkëlqyeshme, mirëpo ka raste kur dallojnë në qasje, e cila sipas tij, nuk është thelbësore.syri.net

“Pa u farue djem e çika, jo nuk ndahet Mitrovica”- Me flamurin kuq e zi dhe simbolin e shqiponjës, qytetarët mblidhen tek ura e Ibrit, policia rrethon zonën (VIDEO)

Qytetarë të shumtë janë bërë bashkë dhe kanë marshuar në urën e Ibrit në Mitrovicë. Pavarësisht thirrjes së Policisë së Kosovës për të mos rënë pre e thirrjes që është bërë në rrjete sociale për të protestuar në veri të Kosovës, shqiptarë e Kosovës janë bërë bashkë për të shprehur pakënaqësitë e tyre rreth kësaj situate.

Dhjetëra qytetarë janë organizuar dhe kanë shprehur se janë kundër dhunës ndaj policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Disa të tjerë janë dëgjuar duke thënë se “nuk ka kthim mbrapa”.

“Pa u farue djem e çika, jo nuk ndahet Mitrovica”, dëgjohen thirrjet e shqiptarëve.

Më herët, Policia e Kosovës dhe ministri i Brendshëm bën thirrje që të bojkotohet kjo protestë, e cila u shpërnda në rrjete sociale ditëve të fundit.bw

Serbët sërish protestë- KFOR: Në Zveçan kishte njerëz profesionistë që nxisnin turmën e banorëve serbë

Duket se qytetarë serbë në Zveçan nuk po heqin dorë nga protesta. Ata kanë nisur të grumbullohen që nga orët e para të mëngjesit, por në numër më të vogël se dje.

Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, që funksionon nën sistemin e Serbisë, janë duke u regjistruar në listën e të punësuarve që është vendosur në një tavolinë, si dëshmi “që vijnë në punë”, raporton gazetarja e Radios Evropa e Lirë atje.

Forcat e KFOR-it janë të dislokuara në të gjithë Zveçanin dhe kështu kanë qenë edhe gjatë natës.

Lidhur me protestat e dhunshme të ditëve ka reaguar dje edhekomandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, i cili ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku ka theksuar se po të mos ndërhynte KFOR-i “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”.

Ristuccia shtoi se në Zveçan ka pasur njerëz që me qëllim kanë nxitur turmën e banorëve serbë.

“Në sheshin në Zveçan ka pasur profesionistë të protestës të cilët me dashje kanë nxitur turmën”, ka thënë ai për gazetën italiane “La Repubblica”.

Ai foli edhe për ushtarët e KFOR-it që pësuan lëndime gjatë konfrontimit me protestuesit e dhunshëm.

“Siç e dini, tridhjetë ushtarë të KFOR-it, 19 hungarezë dhe 11 italianë, pësuan një sulm frikacak gueril urban të hënën më 29 maj. Jam shumë pranë tyre dhe familjeve të tyre. Nëntë nga italianët janë në strukturën spitalore të bazës Camp Villaggio Italia, një është i shtruar në një strukturë në Prishtinë dhe një tjetër në Shkup. Mund të them se asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, do të shërohen shpejt”, ka thënë ai.

Ai është pyetur edhe për mercenarët rus, pjesëtarët e Brigadës Ëagner, për të cilët u tha se janë nisur për në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it bëri të ditur se deri më tani nuk ka asnjë dëshmi për praninë e tyre në këtë zonë.

Albin Kurti për REL: SHBA-ja, mike e pazëvendësueshme për Kosovën

Rikard Jozwiak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, si pasojë e situatës së krijuar në veri të vendit.

Në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë, pas një diskutimi që e pati në një forum të organizuar në Bratisllavë të Sllokavisë, ai e ka quajtur fatkeqësi përjashtimin e Kosovës nga stërvitja ndërkombëtare ushtarake “Defender Europe 23”.

Kurti foli edhe për takimin që e mbajti me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Radio Evropa e Lirë: Si ishte takimi me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak?

Albin Kurti: Takimi ishte i rëndësishëm. Ne duhet ta kemi zbatimin ( e marrëveshjes Kosovë- Serbi), në rrugë të drejtë dhe mendoj se kemi pasur nganjëherë stagnim dhe nganjëherë largim nga rruga. Prandaj, për mua ishte shumë e rëndësishme të vij në Bratisllavë për këtë takim dhe t’i takoj të dy ata, z. Borell dhe z.Lajçak, sepse duhet të ketë qartësi lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë të shkaktuara nga Serbia. Dhe, në anën tjetër, na duhet sa më herët që është e mundur, zbatimi i marrëveshjes.

Të mos harrojmë, ne kemi një marrëveshje, ne nuk kemi zgjidhje. Por, ne nuk kemi zgjidhje jo sepse nuk kemi marrëveshje, por sepse nuk kemi zbatim të marrëveshjes.

U mundova t’i bind Borellin dhe Lajçakun për fokus 100 për qind në kuptim të kohës dhe energjisë për të sekuencuar urdhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Radio Evropa e Lirë: Por, a është sanksioni i SHBA-së një goditje për Kosovën?

Albin Kurti: Çfarë kemi parë është suspendimi nga ushtrimi “Defender Europe 23” dhe ne kemi qenë duke u përgatitur qe dy vjet për këtë. Është fatkeqësi. Nuk mendoj se është e drejtë, por kush jam unë të vendosi?!

Përsëri, më lejoni të theksoj se SHBA-ja është mike, partnere e aleate e pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen tonë, për demokracinë dhe zhvillimin tonë.

  • Për t’u informuar lidhur me zhvillimet e fundit

‘25 ushtarë u plagosën, edhe me armë’- Ushtari i KFOR ia numëron Rakiqit e Simiqit dhunën e serbëve

Një ushtar i KFOR-it ka pasur bashkëbisedim me liderët e Listës Serbe, Goran Rakiq e Igor Simiq.

Ushtari në fjalë ua përmend atyre rastet e dhunës të bandave serbe ndaj ushtarëve të KFOR-it. Madje, duke ia theksuar shifrën 25, pasi 25 ushtarë të KFOR-it ishin plagosur.

Madje, edhe me armë zjarri.

Kurse, Rakiq e Simiq kanë tentuar të fajësojnë Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës.

“25 ushtarë. 25 ushtarë të KFOR-it janë plagosur.

Disa prej tyre kishin plagë me armë zjarri. Disa ushtarë të KFOR-it janë plagosur nga arma e zjarrit, u janë nxjerrë plumba, jo shumë larg nga aty ku folëm të hënën mbrëma.

Shenjat në plumba tregojnë se është shtënë me të nga një armë, të cilën nuk e ka NATO apo KFOR-i. Armët që kanë shtënë ato plumba nuk kanë qenë këtu.

Kam ushtarë të cilëve u janë nxjerrë plumba. Është absolutisht e papranueshme”, ka thënë ushtari të mërkurën në Zveçan, në një bisedim me krerët e Listës Serbe. syri.net

Kurti për deklaratën e Blinkenit: E padrejtë, e gabuar dhe shumë naive

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të martën të përditshmes britanike Guardian se, dita e hënë ka qenë shumë e rëndë, dhe se “jemi me fat që nuk është humbur asnjë jetë”.

Ai u është referuar përleshjeve në mes të pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar në komunat e banuara me shumicë serbe – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nëpër ndërtesat komunale.

Kurti i ka fajësuar për dhunën në veri, ato që i ka quajtur “banda fashiste” të udhëhequra nga Qeveria e Serbisë.

Dhuna është dënuar nga NATO-ja dhe faktori ndërkombëtar, derisa Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa në uljen e tensioneve në veri.

Të premten, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe i cili “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.

Kurti është shprehur i pakënaqur me këtë deklaratë.

“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, ka thënë Kurti për Guardian, në një intervistë përmes telefonit.

“Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”.

Prej asaj deklarate, Kurti ka thënë se ka folur me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai ka thënë se Escobar u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që t’i dërgojnë kryetarët në objekte tjera, apo edhe të punojnë prej shtëpisë – kërkesë që ai e ka refuzuar.

“Nuk mund të kemi kryetarë me Zoom [platformë e thirrjeve online], ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, ka shtuar ai.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën, në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund”, për të.

Opozita në Kosovë ka reaguar duke e bërë Kurtin fajtor për tensionim me aletatët, sidomos SHBA-të. Përfaqësuesit opozitarë i kanë bërë thirrje kryeministrit që të tregojë maturi politike, të ndryshojë qasjen dhe të zgjedh të ardhmen dhe rrugën euroatlantike të Kosovës.

Komunat veriore të Kosovës u tensionuan pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe dhe u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

LDK: Kosova ndodhet në pozicion të rëndë diplomatik e strategjik

RFE/RL

Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndërprerë stërvitjet e përbashkëta ushtarake “Defender 23” që ishin duke u mbajtur në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës në opoiztë ka thënë se “Qeveria po bie në grackën e Serbisë”.

“Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më pare”, thotë reagimi i LDK-së.

Kjo parti ka shprehur shqetësim karshi Qeverisë të Kosovës dhe ka kritikuar mungesën e koordinimit me aleatët ndërkombëtarë, dhe i ka bërë asaj thirrje që të zgjedh “të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër”.

“Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët”, ka thënë LDK-ja dhe ka nënvizuar se “devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë”.

Kjo parti, e treta më e madhja në Kosovë, ka thënë se nuk do të lejojë me “asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, të rrezikojë themelet e shtetësisë”.

Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund” për të”.

Hovenier i bëri komentet në një takim me një grup gazetarësh në Prishtinë.

Ai iu referua vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të vendit – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – përkundër rezistencës së vazhdueshme të banorëve lokalë, që rezultoi në dhunë.

“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi [i Qeverisë] ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Hovenier.

Ai citoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili paralajmëroi se këto veprime do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë, dhe tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023” është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.

Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër “hyrjen me forcë” të krerëve të rinj komunalë dhe ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës të shtensionojnë menjëherë situatën.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 30 maj kërkoi nga Kosova që të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave komunale në veri, në mënyrë që, sipas tij, të ulen tensionet në këtë pjesë.

Paraprakisht, Qeveria e Kosovë ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”.

Hovenier: Kriza në veri të Kosovës ishte e panevojshme dhe dëmtoi marrëdhëniet e saj më SHBA-në

VOA

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha të martën se qeveria e Kosovës nuk është bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në veri dhe ka krijuar një krizë të panevojshme, duke dëmtuar edhe marrëdhëniet me Uashingtonin.

Në një takim me një grup gazetarësh të medieve vendase, ai tha se kriza ishte e panevojshme dhe paraqet kthim prapa në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe siç ka thënë sekretari i Shtetit Antony Blinken do të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Shenja e parë e kësaj është vendimi i natës së kaluar i komandantit të Forcave amerikane në Evropë, Christopher Cavoli, për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”. Për Kosovën kjo stërvitje ka marrë fund”, tha ambasadori Hovenier.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti të marrë hapa për të shtensionuar situatën në veri, por ai nuk u është përgjigjur kërkesave.

“Po e shqyrtojmë çfarë hapash të tjerë do të ketë. Më duhet të them se në këtë moment, Shtetet e Bashkuara nuk kanë shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha ai duke shprehur keqardhjen për këto zhvillime.

Megjithatë ai shfaqi shpresën se kryeministri Kurti do ta pranojë këshillën amerikane dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri.

Ambasadori Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për qeverinë e Kosovës: të mos ngulë këmbë që kryetarët (që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga partitë serbe) të punojnë nga ndërtesat komunale, dhe që t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen vende alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, tha ambasadori Hovenier, duke përmendur faktin që kryetarët e komunave në veri janë betuar në vende alternative.

“Ne besojmë se prania e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që të tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, tha ai duke theksuar se këto dy veprime do të ndihmonin në uljen e tensioneve.

I pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë, paraqet kërcënim për Kosovën, ambasadori amerikan tha se “nuk është kurrë shenjë e mirë” që shtetet fqinje, me të cilat marrëdhëniet janë të tensionuara, i mobilizojnë forcat e tyre.

“Mirëpo në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e qeverisë së Kosovës, që e kanë krijuar këtë krize në veri”, tha ai duke nënvizuar se ulja e tensioneve do ta kthente vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët janë pajtuar në muajin mars.

“Të dyja palët duhet ta zbatojnë atë plotësisht. Ajo e zgjidh edhe situatën në veri. Kjo është një nga arsyet përse ne presim që qeveria të punojë urgjentisht në procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ambasadori Hovenier.

Dy kryetarë punojnë nga objektet komunale, një nga Zyra për Komunitete

RFE/RL

Kryetari Leposaviqit, Lulzim Hetemi, dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, gjenden në objektet e komunave përkatëse, bënë të ditur burimet e Radios Evropa e Lirë.

Siç merr vesh REL-i, kryetari i Leposaviqit ka mbetur brenda objektit të komunës që nga dita e djeshme, për “arsye sigurie”.

Me gjithë përpjekjet, REL-i nuk arriti të bjerë në kontakt me Hetemin.

Ndërkaq, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se është duke punuar nga Zyra për Komunitete në fshatin Lipë të kësaj komune, e jo nga objekti komunal.

“Këtu sot e kemi filluar punën… Tash, le ta shohim”, tha shkurtimisht ai më 30 maj.

Për të dytën ditë me radhë, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë. Ata po kërkojnë po ashtu tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i shtetit.

Tensionet në veri u rritën në veri më 26 maj, kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet, 30 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Pesë persona janë arrestuar pas përleshjeve në Zveçan.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunalë nëntorin e kaluar. Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Opozita dënon dhunën në veri, bën thirrje për shtensionim

Dhuna gjatë përleshjes së disa protestuesve me ushtarët e KFOR-it, Zveçan 29 maj 2023.

RFE/RL

Partitë opozitare në Kosovë kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri, si dhe kanë dënuar sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve.

Partia Demokratike të Kosovës (PDK), duke shprehur shqetësim për tensionet e krijuara, u kanë kërkuar krerëve institucionalë në Kosovë që të “ndikojnë në qetësimin e situatës, rikthimin e normalitetit dhe evitimin e përshkallëzimit të mëtutjeshëm të gjendjes”.

“Rikthimi i normalitetit është parakusht i fillimit të një qeverisjeje komunale të mirëfilltë, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunave në pjesën veriore të vendit”, thanë PDK në një deklaratë të postuar në Facebook.


Kjo parti, tha se “e kupton drejt seriozitetin e situatës dhe tensionin e ngritur në komunat e pjesës veriore të vendit” dhe ftoi presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti që “të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se veprimet e matura politike janë të domosdoshme për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të mëtutjeshëm të situatës në komunat në veri.

“Koordinimi me miqtë tanë ndërkombëtarë është jetik. Institucionet e Kosovës duhet të sigurohen që asnjë veprim i mëtutjeshëm të mos bëhet pa koordinim të ngushtë me ta”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sulmet e dhunshme dhe të paprovokuara, sipas LDK-së, nuk kanë vend në shtetet demokratike dhe duhet të ndalen menjëherë.

LDK thotë se institucionet e rendit dhe ligjit të sjellin të gjithë kryerësit e sulmeve të tilla para drejtësisë.

Për situatën në veri ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se “sulmet kriminale ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe forcave të rendit, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”.

Ai iu ka bërë thirrje të gjitha palëve që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për qetësimin e situatës.

Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.

Ndërsa të hënën e 29 majit, të paktën 25 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur si pasojë e përleshjeve me qytetarët serbë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe.

Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

KFOR-i shpërndan protestuesit serbë dhe liron rrugën për të kaluar makinat e policisë

Pas qetësimit të përkohshëm të situatës në veri të Mitrovicës, protestuesit serbë tentuan sërish të bllokojnë veturat e policisë së Kosovës.

Megjithatë, ishin trupat e KFOR-it që ndërhynë dhe bënë gjithçka që të lirohet rruga dhe të kalojnë automjetet e blinduara të policisë.

Një video amatore shfaq momentin kur veturat e policisë kalojnë, dhe KFOR-it shpërndanë turmën që me çdo kusht po tentonin të bllokonin ato mjete të policisë.

Kujtojmë që pas kërkesës për lirim të rrugës për qarkullimin e automjeteve, serbët e kishin bërë të kundërtën-ishin ulur në asfalt.

Aty detyroi pjesëtarët e KFOR-it që të ndërhyjnë për të shpërndarë turmën, me qëllim që të sigurohet kalimi i veturave policisë.

Këtë kërkesë për lirimin e rrugës e kishin bërë pjesëtarët e KFOR-it përmes altoparlantës, por serbët kishin refuzuar kategorikisht-ku si pasojë erdhi deri te përleshja mes tyre.

Ata përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, të cilët vetëm sa u zhvendosën një lagje më poshtë se ku po qëndronin më parë. syri.net

KFOR ndërhyn në Zveçan, shpërndahen protestuesit

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan. Paraprakisht KFOR paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

“Ju po shkaktoni trazira. Po e rrezikoni veten dhe komunitetin tuaj. Largohuni nga zona dhe shkoni në shtëpi – në të kundërtën, KFOR-i do të detyrohet të ndërhyjë”, ishte audio-paralajmërimi i KFOR-it.

Gaz lotsjellës, flakë dhe shtëllunga tymi kanë përfshirë zonën, ndërkohë që dëgjohen edhe sirena./REL

Rada Trajkovic: Kjo media ruse në Serbi duket se dëshiron që ne të hyjmë sërish në luftë me NATO-n!

Rada Trajkovic në Twitter:
“Kjo media ruse në Serbi duket se dëshiron që ne të hyjmë sërish në luftë me NATO-n për hir të interesave të fuqive të huaja. Pa @NATO_KFOR Sot në Kosovë nuk do të kishte serb. Kushdo që i mbijetoi 17 marsit 2004 e di këtë. Ata e kryejnë misionin e tyre pa paragjykime dhe duhet të sigurojnë lirinë e lëvizjes.”

Shtuan prezencën- KFOR: Po punojmë në zbutjen e situatës në veri

Misioni i NATO-s në Kosovë ka njoftuar se me stafin e tij po punon në zbutjen e situatës në veri, si dhe se është në kontakt me institucionet e Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë.

Në një komunikatë drejtuar mediave, KFOR-i tha se ka shtuar praninë në komunat veriore të Kosovës “për të siguruar një mjedis të sigurt për lirinë e lëvizjes”.

“Komandanti i KFOR-it dhe stafi i tij po punojnë për zbutjen e situatës dhe janë në kontakt me të gjitha palët, duke përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe të organizatave të sigurisë në Kosovë dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë. Raportimet e mediave për një takim me Goran Rakiqin janë të pabaza, po ashtu edhe pretendimet se komandanti i KFOR-it ka bërë ndonjë paralajmërim për të shtëna në Zveçan”, thuhet në komunikatë.

Edhe sot paradite, Misioni i KFOR-it në Kosovë u ka bërë thirrje palëve të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione ose shkaktojnë përshkallëzim të situatës.

Në një komunikatë të publikuar në Twitter, KFOR-i tha se ka shtuar praninë e tij mëngjesin e së hënës në veri, pas zhvillimeve të fundit, ndërsa i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen për dialog.

“Në përputhje me mandatin e tij, KFOR-i është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt në mënyrë neutrale dhe të paanshme. Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve dhe Organizatave të Sigurisë në Kosovë, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar. KFOR-i i kërkon Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për të ulur tensionet dhe si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.syri.net

Gazetarët shqiptarë strehohen brenda objektit të Komunës në Zveçan

Për shkak të situatës së tensionuar, policia e Kosovës ka strehuar brenda objektit të komunës disa gazetarë shqiptarë.

Pas provokimeve të ndryshme dhe dhunën graduale të protestuesve serb, policia e Kosovës ka vendosur që të fus brenda objektit gazetarët shqiptarë të cilët po qëndrojnë në një sallë të objektit.

Brenda objektit është futur edhe një gazetare serbe, por më pas është nxjerrur jashtë ngase e njëjta ka futur në objekt me qëllime të caktuara dhe jo për siguri. syri.net

Protestuesit serbë po shpojnë gomat e veturave të mediave të Kosovës

Protestuesit serbë po radikalizojnë veprimet e tyre në Leposaviq.

Para pak minutash protestuesit kanë filluar të dëmtojnë veturat e mediave që po qëndrojnë në terren për të ndjekur situatën e fundit në veri.

Veturave përveç që i janë shpuar gomat, ato janë ngjyrosur me simbole nacionaliste nga protestuesit serb. syri.net

Përfundon takimi mes kryetarëve të veriut dhe ambasadorit amerikan

RFE/RL

Ka përfunduar takimi midis kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe atij të Zveçanit, Ilir Peci, me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Takimi u zhvillua në zyrat e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe në të nuk morën pjesë krerët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, që vijnë nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas takimit, ambasadori amerikan Hovenier është parë duke u larguar nga zyrat e BE-së në Prishtinë.

Sipas gazetarëve në terren, ambasadori Hovenier u pa duke hyrë më pas në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Kreu i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, më herët gjatë të hënës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë pjesëmarrjen në këtë takim.

I pyetur nëse gjatë ditës do të shkojë në zyrën e tij në objektin e komunës së Zubin Potokut, Zeqiri, tha se nuk mund ta di tani për tani.

“Nuk e di nëse do të shkoj në zyre sot. E kam agjendë shumë të ngjeshur. Ta shohim gjatë ditës”, tha Zeqiri, që është nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ende nuk dihet nëse kryetarët e tjerë do të marrin pjesë në këtë takim.

Më 29 maj, grupe të serbëve lokalë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Përveç Policisë së Kosovës, që gjendet para ndërtesave komunale, në veri është vërejtur shtim i pranisë së pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë më 26 maj, Shtetet e Bashkuara dënuan ashpër ato që i cilësuan si “masa të dhunshme” të Qeverisë së Kosovës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës “përshkallëzuan tensionet pa nevojë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – dhanë dorëheqje.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Hovenier thërret në takim kryetarët e rinj të veriut

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thirrur në takim tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Kreu i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, tha për Radion Evropa e Lirë, se do të marrë pjesë në takim me ambasadorin Hovenier dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë.

Zeqiri tha se takimi do të mbahet në ora 9:00 në zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

I pyetur nëse gjatë ditës do të shkojë në zyrën e tij në objektin e komunës së Zubin Potokut, Zeqiri, tha se nuk mund ta di tani për tani.

“Nuk e di nëse do të shkoj në zyre sot. E kam agjendë shumë të ngjeshur. Ta shohim gjatë ditës”, tha Zeqiri, që është nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ende nuk dihet nëse kryetarët e tjerë do të marrin pjesë në këtë takim.

Më 29 maj, grupe të serbëve lokalë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Përveç Policisë së Kosovës, që gjendet para ndërtesave komunale, në veri është vërejtur shtim i pranisë së pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë më 26 maj, Shtetet e Bashkuara dënuan ashpër ato që i cilësuan si “masa të dhunshme” të Qeverisë së Kosovës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës “përshkallëzuan tensionet pa nevojë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – dhanë dorëheqje.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj. rel

Ministri Xhelal Sveçla në Leposaviq: Këtu është Republikë e Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ishte për vizitë në Leposaviq, ku u prit nga kryetari i ri i komunës, Lulëzim Hetemi. Ministri Sveçla bëri të ditur se qëllimi i vizitës atje ishte për t’i shprehur mbështetjen institucionale kryetarit të ri.

“U pajtuam se të gjitha institucionet vendore, qoftë qendrore, qoftë lokale, kanë për detyrë t’i shërbejnë qytetarëve të vendit dhe përkundër vështirësive të gjitha do t’i tejkalojmë”, deklaroi ministri Sveçla para mediave.

I pyetur se a do të qëndrojnë edhe më tej njësitet e Policisë së Kosovës, ministri Sveçla u përgjigj se këtu është Republikë e Kosovës. Për dallim nga dje, situata sot është e qetë.  syri.net

Deputeti i VV: Shqiptari Edi Rama po sillet si i huaj ndaj Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po sillet si i huaj në raport me Kosovën.

Rrustemi tha se ka pritur që në këto raste, spektri shqiptar të jetë i bashkuar.

“Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe shqiptar po sillet si ndërkombëtar, si i huaj në raport me Kosovën. Është për të ardhur të keq. Është e rëndësishme që spektri shqiptar të jetë i bashkuar në këtë rast. Kosova po përmbush detyrimet e saj ligjore dhe kushtetuese. Rama duhet të sillet si kryeministër shqiptar. Nuk mund ta përfytyroj se si shteti i së drejtës po i kontribuon tensioneve”, tha deputeti i VV në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai tha se edhe partitë politike opozitare të Kosovës duhet të jetë unike për sovranitetin e vendit.

“Spektri politik duhet të jetë unik sa i përket ligjshmërisë dhe sovranitetit të vendit. Nuk mund të kuptoj sjelljen e partive opozitare të Kosovës. Ne kemi detyrim zbatimin e kushtetutshmërisë”, ka thënë Rrustemi.


Send this to a friend