VOAL

VOAL

Kurti nuk paraqitet në Prokurorinë Speciale, ndodhet jashtë vendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur për intervistim në Prokurorinë Speciale, ku ka qenë i ftuar të dëshmojë në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se nga Kryeministria janë njoftuar se Kurti është në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet.

Ajo ka shtuar se konform ligjit në fuqi, Prokuroria do ta përgatisë një ftesë tjetër për Kurtin.

“Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që kjo prokurori e ka në hetim. Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet. Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër. Ende nuk është vendosur data për ftesën tjetër”, ka thënë Kozmaqi.

Kryeministri Kurti ishte ftuar nga Prokurorinë Speciale të paraqitet sot në orën 09:30 në cilësinë e dëshmitarit.

Prokuroria Speciale nuk ka treguar se për cilin rast është ftuar të dëshmojë kryeministri. sn

Kosovë- Aktakuzë ndaj tetë të pandehurve për falsifikim dokumentesh dhe shpëlarje parash, raportohet se lidhet me sektorin e shëndetësisë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër tetë të pandehurve nën dyshimet për kryerje të veprave penale, “falsifikim i dokumenteve” dhe “shpëlarje të parave”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të bërë publik më 13 dhjetor, aktakuza është ngritur ndaj personave fizikë, me inicialet; E.M, K.A, E.LL, K.LL dhe I.L, si dhe subjekteve juridike: “M…”, “AHK” dhe “QKK”.

Radio Evropa e Lirë i ka kërkuar Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore më shumë hollësi për aktakuzën, si dhe qasje në të, por nuk ka marrë përgjigje.

Mediat lokale në Kosovë, përfshirë mediumin e specializuar për fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, Betimi për Drejtësi – që ka thënë se ka siguruar aktakuzën – kanë raportuar se aktakuza është ngritur kundër Ekrem Llukës, në cilësinë e pronarit të Qendrës Kardiake të Kosovës, ndaj Korab Llukës, Klodian Allajbeut, si pronar i Spitalit Amerikan në Kosovë, ndaj Igli Larashit, dhe pronares së Medbrad KS, Edlira Malaj.

Ekrem Lluka dhe Klodian Allajbeu janë edhe pronarë të disa mediave në Kosovë.

Aktakuzë është ngritur edhe ndaj Qendrës Kardiake të Kosovës, Spitalit Amerikan dhe Medbrand KS, si subjekte juridike.

Sipas raportimeve të Betimit për Drejtësi bëhet fjalë për shitblerje në vlerë të miliona eurove në emër të kompanive që nuk kanë qenë të regjistruara.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë Ekrem Llukën si dhe Spitalin Amerikan në Kosovë, por nuk kanë qenë të qasshëm për koment.

Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, Medbrand KS, është kompani në pronësi të Alaudin dhe Rigers Malajt.

Radio Evropa e Lirë e ka pasur të pamundur t’i kontaktojë të dy deri në publikimin e këtij materali.

Grupi Dukagjini ka deklaruar pafajësi të plotë për njërën prej kompanive të veta, si referencë për Qendrën Kardiake të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Grupi Dukagjini ka thënë se aktakuzën nuk e ka pranuar ende.

“Aty [në gjykatë] do të dëshmojmë jo vetëm pafajësinë e kompanisë tonë bijë dhe drejtuesve të vet, por edhe persekutimin personal dhe të kundërligjshëm të cilit i janë nënshtruar gjatë tre viteve të hetimit të kësaj çështjeje”.

Spitali Amerikan ka thënë për media tjera në Kosovë se avokatët do të kërkojnë të hënën aktakuzën dhe do të dëshmojnë për pafajësinë.

Spitali Amerikan në Kosovë kishte nisur të ndërtohej më 2007 në Kosovë, pak metra larg Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me leje të Kuvendit Komunal të Kosovës, por në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së atëhershme, me të cilën ndalohej veprimtaria e institucioneve shëndetësore private në afërsi prej një kilometri e gjysmë afër atyre publike.

Më vonë është ndryshuar një nen i udhëzimit administrativ që përcaktonte distancën, dhe kështu ishte mundësuar finalizimi i punimeve.

Ky institucion ka leje për punë deri më 2025. REL

Trendafilovës i vazhdohet mandati si kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës

Ekaterina Trendafilova është riemëruar kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës edhe për një mandat të ri katërvjeçar, njoftoi të premten gjykata.

Mandati i tanishëm i Trendafilovës do të mbaronte më 15 dhjetor. Kjo është hera e dytë që asaj i vazhdohet mandati prej se u emërua në krye të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 2016, një vit pas themelimit të tyre.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që njihen si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Trendafilova theksoi se e “vlerëson besimin e vazhdueshme” ndaj saj dhe se është e “bindur se Dhomave të Specializuara të Kosovës do të vazhdojnë t’i kryejnë proceset në mënyrë të shpejtë, të drejtë dhe efektive, siç kërkohet nga korniza ligjore e gjykatës”.

Javën e kaluar, Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi një aktakuze të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kundër ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

Ata akuzohen për ndikim mbi dëshmitarët në një rast tjetër ku ish-presidenti Thaçi – së bashku me ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – janë duke u gjykuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë mohuar.

Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, është dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte, ndërsa ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala është dënuar me 18 vjet burgim për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë. REL

Vetëvendosja publikon listën zgjedhore, Albin Kurti renditet i pari

Lëvizja Vetëvendosje së bashku me aleatët e saj, Partia Guxo dhe Alternativa, kanë dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kjo listë, e përbashkët sipas tyre përfaqëson vizionin për ndryshime pozitive dhe zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë.

Në krye të listës është Albin Kurti, pasuar nga Glauk Konjufca e Donika Gërvalla.

Në listë nuk figuron emri i ministrit të Infrastrukturës, një nga aktivistët më të hershëm të VV, Liburn Aliu. Po ashtu nuk do të garojë as Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i Kosovës.

 

 

 

10 emrat e parë në listën e LVV-Partia Guxo-Alternativa:

Albin Kurti

Glauk Konjufca

Donika Gërvalla Schwarz

Avni Dehari

Albulena Haxhiu

Hekuran Murati

Xhelal Sveçla

Mimoza Kusari Lila

Faton Peci

Shqipe Mehmeti Selimi.

bw

 

Kurti ftohet të dëshmojë nga Prokuroria Speciale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ftua për dëshmi nga Prokuroria Speciale, bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë së tij, Përparim Kryeziu.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kryeziu kritikoi sistemin e drejtësisë për ndërhyrje në procesin zgjedhor.

“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor, i cili ia kishte pamundësuar [Kurtit] kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit, 2021, kurse tash, përmes kësaj ftese, po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025”, shkroi ai pa dhënë më shumë detaje.

Radio Evropa e Lirë (REL) e pyeti se për çfarë rasti bëhet fjalë, por ai nuk u përgjigj.

Prokurorët nënshkrues të thirrjes së Kurtit për të dëshmuar, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, janë prokurorë specialë nga Departamenti për hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar.

REL-i e ka pyetur Prokurorinë Speciale në lidhje me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje të menjëhershme.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

Në zgjedhjet paraprake, më 2021, Kurtit nuk iu lejua të kandidonte për deputet, pasi Gjykata Kushtetuese nxori vendim që kandidatët, të cilët në tre vjetët e fundit kishin vendim gjykate të formës së prerë, nuk mund të garojnë.

Kurti kishte një dënim të tillë, për shkak të trazirave që ndodhën në Kuvendin e Kosovës derisa ai ishte në opozitë.

Si kryeministër, Kurti në disa raste ka kritikuar sistemin e drejtësisë, duke thënë se është joefikas dhe i ngadaltë. REL

Pluralizëm mes serbëve: “Një shenjë e mirë që mungonte”

Sandra Cvetkoviq

Për komunitetin serb në Kosovë është mirë të prishet ose të dobësohet monopoli i Listës Serbe, thonë për Radion Evropa e Lirë Miodrag Marinkoviq nga Qendra joqeveritare për Veprime Afirmative Sociale, me seli në Mitrovicë të Veriut, dhe Dushan Janjiq nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike.

Siç u konfirmua më herët nga disa subjekte politike, listat e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës do t’i dorëzojnë gjashtë prej tyre: Lista Serbe, Demokracia Serbe, Lëvizja Kombëtare Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.

Afati për dorëzimin e listave për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare skadon më 11 dhjetor.

Lista Serbe njoftoi se ka dorëzuar një listë prej 48 kandidatësh për deputetë në Kuvendin e Kosovës, në mesin e të cilëve është edhe Dragica Gashiq, e kthyera e parë serbe në Gjakovë – qytet rreth 70 kilometra larg Prishtinës.

Kthimi i saj në vitin 2021 ka shkaktuar reagime të dhunshme, por në fund ajo ka arritur të kthehej në banesën e saj.

“Jam i nderuar dhe i lumtur që dekanët tanë, profesorët, mjekët e dalluar, gjyqtarët, me emrat e tyre qëndruan pranë Listës Serbe në këtë moment më të vështirë të luftës për interesat e popullit serb në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë”, tha Zllatan Ellek, kryetar i Listës Serbe.

Listën prej 12 kandidatësh e bëri të ditur edhe Nenad Rashiq, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Në atë listë gjendet edhe Marina Bogojeviq nga Leposaviqi, nënkryetare aktuale e Lulzim Hetemit.

Rashiq, aktualisht, është ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës njoftoi se Demokracia Serbia ka dorëzuar tashmë listën me 13 kandidatë, Nisma Qytetare Drejtësia Popullore me dhjetë kandidatë dhe Partia e Serbëve të Kosovës me nëntë kandidatë.

KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat më së voni deri më 25 dhjetor.

Zgjedhjet janë caktuar për datën 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

“Është mirë që kemi një lloj pluralizmi në përfaqësimin e komunitetit serb. Kjo është diçka që ka munguar në periudhën paraprake”, thotë Marinkoviq.

“Vetë fakti që janë regjistruar gjashtë lista, tregon se monopoli i Listës Serbe ka rënë. Është e qartë se as Beogradi nuk mund t’i vendosë më të gjitha kartat në anën e Listës Serbe. Mendoj se kjo është një shenjë e mirë për komunitetin serb. Ai po i kthehet sistemit shumëpartiak në një mënyrë të pazakontë”, shton Janjiq.

Që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – ka fituar mbi 90 për qind të votave të pjesëtarëve të komunitetit serb në të gjitha proceset zgjedhore në të cilat ka marrë pjesë.

Megjithatë, Misioni Monitorues i BE-së në Kosovë, në raportin e tij të vitit 2021, ka konstatuar se Lista Serbe “ka monopolizuar jetën politike në mesin e serbëve të Kosovës” dhe se ka pasur raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatë dhe aktivistë të Listës Serbe.

Pjesëtarët e komunitetit serb në veri dhe në jug të lumit Ibër, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë më 26 nëntor, e kanë mbështetur daljen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke thënë se duan që zëri i tyre të dëgjohet në institucionet e Kosovës.

“Politika e bojkotimit e Listës Serbe u hapi dyert partive të tjera”

Marinkoviq thotë se Lista Serbe “është zhdukur” dy vjet më parë, me daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, dhe se është krijuar një hapësirë në të cilën “disa liderë të tjerë politikë kanë dalë në sipërfaqe dhe kanë marrë mbështetje nga qytetarët e komunitetit serb”.

“Ndaj, ai dominim, ai monopoli i Listës Serbe, do të jetë shumë vështirë të arrihet në këtë moment. Unë shoh që në Kuvendin e Kosovës të shfaqen fytyra të reja, opsione të reja politike dhe mendoj se kjo do të ishte shumë mirë për komunitetin serb”, thotë Marinkoviq.

Ai, megjithatë, thekson se përfaqësuesit politikë të serbëve, pavarësisht se cilit opsion i takojnë, duhet t’i përmbahen një platforme themelore që mbron interesat e komunitetit serb.

Pas bojkotimit dyvjeçar të institucioneve të Kosovës, për shkak të heqjes së targave serbe nga Qeveria e Kosovës, Lista Serbe njoftoi se do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të Kosovës, por nuk specifikoi qartë nëse do të marrë pjesë aktive në punën e institucioneve.

Që nga viti 2022, dhjetë përfaqësues të grupit parlamentar “Lista Serbe” janë paraqitur në seancat e Kuvendit të Kosovës çdo gjashtë muaj, për të mos i humbur mandatet e tyre.

Me Kushtetutën e Kosovës, dhjetë ulëse janë të rezervuara për deputetët serbë, pa votat e të cilëve nuk mund të miratohen disa ligje të rëndësishme apo ndryshime kushtetuese.

Marinkoviq thekson se pjesëmarrja e ardhshme aktive e serbëve në institucionet e Kosovës, është “jashtëzakonisht e rëndësishme” për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb.

“Politika e bojkotimit ka rezultuar e pasuksesshme. Ajo që mund të përfitohet nga ky pluralizëm, është se disa parti të reja janë më aktive në institucione, në parlament, marrin pjesë në punë, përcjellin se cilat janë interesat e komunitetit serb – gjë që nuk ishte rasti me Listën Serbe kur kishte përfaqësim ekskluziv”, thotë ai.

“Duhet të përmirësohen kushtet zgjedhore që pluralizmi të jetë i suksesshëm”

Edhe Janjiq vlerëson se “reputacioni i Listës Serbe ka rënë shumë”, për shkak të politikës së bojkotimit dhe të gjithë situatës në veri të Kosovës që ka pasuar.

Pas largimit nga institucionet e Kosovës në fillim të nëntorit të vitit 2022, Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve lokale – gjë që ka rezultuar me marrjen e pushtetit nga katër kryetarë shqiptarë në komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Me largimin e policëve të komunitetit serb nga pozitat e tyre, edhe ata janë zëvendësuar më së shumti nga ata të komunitetit shqiptar, dhe e njëjta situatë ka ndodhur edhe në fushën e drejtësisë dhe në administratën lokale.

Që nga vitit 2022, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka punuar në mënyrë aktive për vendosjen e pushtetit në veri dhe disa nga hapat që ka ndërmarrë në këtë drejtim, përfshijnë: heqjen e targave serbe, mbylljen e institucioneve që punonin nën sistemin serb dhe heqjen e dinarit serb.

Janjiq thotë se për “pluralizëm të suksesshëm” në mesin e komunitetit serb në Kosovë, është e nevojshme të sigurohen kushte të drejta zgjedhore.

Ai sqaron se disa nga këto kushte janë: rregullimi i listave të zgjedhësve, vendosja e kontrollit demokratik mbi vetë procesin e votimit dhe parandalimi i të gjitha abuzimeve.

“Tani po flas, para së gjithash, për komunitetin serb. Nëse nuk sigurohen këto kushte, do të ketë pasoja negative për të. Do të zvogëlohet pjesëmarrja dhe do të ketë edhe një përballje propagandistike mediatike mes serbëve”, beson Janjiq.

A do ta lejojë Beogradi pluralizmin mes serbëve në Kosovë?

Pasi Lista Serbe ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhje, zyrtarë të lartë të Qeverisë aktuale në Beograd kanë shprehur mbështetjen e tyre.

Më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë thirrje për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, ndonëse Beogradi edhe e ka mbështetur largimin e tyre.

Marinkoviq dhe Janjiq nuk presin që Beogradi ta mbështesë pluralizmin në mesin e serbëve në Kosovë, sepse ai “gjithmonë luan me një kartë dhe ajo është Lista Serbe”.

Marinkoviq, megjithatë, beson se nëse në Kuvendin e Kosovës hyjnë opsione të tjera politike, Beogradi do të ketë një qasje më pragmatike për t’i mbrojtur interesat e komunitetit serb.

“Nuk jam i sigurt se çfarë do të ndodhë, por besoj se ka vend për veprim të përbashkët nëse ka qëllim të mirë”, shprehet ai.

Janjiq, nga ana tjetër, vlerëson se “situata në Serbi po ndryshon, e rrjedhimisht edhe te serbët që janë në Kosovë”.

“Unë gjithmonë kam thënë se është gabim të luash vetëm me një kartë. E kemi paguar me shumë njerëz në Kosovë. Është loja më e gabuar që të çon në demokraci”, thotë ai.

E, çfarë mesazhesh kanë dërguar partitë politike të serbëve në Kosovë para dorëzimit të listave për deputetë në Kuvendin e Kosovës?

Lista Serbe ka thënë se “asnjëherë më e fortë” do të luftojë për të dhjetë mandatet në Kuvendin e Kosovës dhe se është “e vetmja” që përfaqëson interesat e serbëve në Kosovë.

Demokracia Serbe ka deklaruar se ka ardhur koha për të ofruar mbështetje për ata që “nuk ia kanë kthyer shpinën popullit derisa të drejtat e serbëve janë kërcënuar”, edhe pse “disa kanë zgjedhur të heshtin dhe të tërhiqen në hije”.

Lëvizja Popullore Serbe ka thënë se nuk ka pushuar të luftojë për interesat serbe dhe se “është e vetmja që ka fuqi të luftojë për liri dhe ndryshime për të mirë”.

Qëndrimi i Partisë për liri, Drejtësi dhe Mbijetesë është se ka ardhur koha që serbët të përfaqësohen në institucionet e Kosovës.

Partia Serbe e Kosovës ka thënë se në Kuvendin e Kosovës duhet të ketë edhe serbë, “të cilët do të marrin pjesë aktive në punë dhe do t’i mbrojnë interesat e popullit serb, ndryshe nga përfaqësuesit e mëparshëm”.

Nisma Qytetare Drejtësia Popullore ka shfaqur besimin se është e nevojshme që “gjërat të merren në duar të veta” dhe që njerëzit “më në fund ta ndiejnë lirinë”.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Hovenierit i ndahet Urdhri “Dr. Ibrahim Rugova”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ndau ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”.

Hovenier, i cili ka vendosur të pensionohet, do të largohet nga misioni në Kosovë këtë muaj.

Osmani e vlerësoi atë si më shumë se një ambasador.

“Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-në”, tha Osmani në një postim në Facebook, ku publikoi edhe një video nga ceremonia e ndarjes së Urdhrit.

Ky urdhër u jepet personave, vepra jetësore e të cilëve cilësohet si kontribut i veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit.

Hovenier ishte në misionin e ambasadorit në Kosovë që nga fillimi i vitit 2022.

“Ky çmim ka domethënie të madhe për mua, pasi përfaqëson punën kolektive dhe përkushtimin e kujtdo që ka qenë pjesë e kësaj përpjekjeje për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe për të avancuar vizionin tonë të përbashkët për një vend sovran, demokratik dhe multietnik. Ishte privilegj i madh të shërbej si ambasador i SHBA-së këtu në Kosovë”, shkroi Hovenier në një postim në X.

Derisa ka shprehur vazhdimisht mbështetje për vendin, në disa raste edhe ka kritikuar, sidomos Qeverinë, për shkak të disa veprimeve që SHBA-ja i ka cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara.

një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në gusht, Hovenier ka thënë se partneriteti me Kosovën “nuk është ai që do të shpresonim”.

Veprimet e kritikuara kanë pasur të bëjnë me disa vendime për veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, të cilat Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i ka cilësuar vetëm si përpjekje për shtrirjen e autoritetit në të gjithë vendin. REL

Sveçla: Pjesëtarë të Listës Serbe, të përfshirë në trazira të vazhdueshme në veri

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të martën se beteja e vazhdueshme e autoriteteve të Kosovës për shtirje të sovranitetit në pjesën veriore të vendit, ka demaskuar aspiratat e Serbisë për territorin e Kosovës, dhe që pjesëtarë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë qenë të përfshirë në trazira të vazhdueshme në veri.

Sveçla nuk ka përmendur ndonjë emër në mënyrë specifike dhe deri më tani autoritetet e drejtësisë nuk kanë ngritur ndonjë aktakuzë ndaj zyrtarëve të lartë të Listës Serbe, ndonëse disa janë ftuar për intervistim për pjesëmarrje në protesta.

Ai ka thënë se mungesa e shtrirjes së plotë të institucioneve vendore në pjesën veriore në të kaluarën, ka mundësuar terren plotësisht të lirë për grupet kriminale dhe çdolloj aktiviteti ilegal.

Ministri Sveçla i ka bërë këto deklarata pas prezantimit të një raporti të Institutit për Siguri dhe Reziliencë – PREVENT, për sigurinë në veri, pas sulmeve në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar, dhe atë në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok në nëntor të këtij viti.

Kosova fajëson Serbinë për këto sulme që i konsideron terroriste, ndërsa Beogradi mohon gjithçka.

“Nuk mund të thotë Lista Serbe se nuk ka qenë e përfshirë në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, kur asistentë, shoferë, truproje, zyrtarë të Listës Serbe, kanë qenë pjesë aktive e sulmit, janë identifikuar dhe tash një pjesë e tyre janë në arrati”.

Në maj të vitit 2023, protestuesit serbë në Zveçan janë përleshur me pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të plagosur mbi 90 paqeruajtës të misionit, disa të plagosur rëndë.

Sipas ministrit Sveçla, integrimi i strukturave paralele serbe në institucionet e Kosovës, sipas marrëveshjes së Brukselit, ka mundësuar instalim të strukturave që i kanë raportuar Serbisë dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Kjo faktohet jo vetëm me dorëheqjen e orkestruar të pjesëtarëve serbë nga Policia e Kosovës dy vjet më parë, të cilët me uniformë policore, me pagë të Policisë së Kosovës, dhe me armë zyrtarë të policisë u kanë shërbyer politikave destabiluzuese të Serbisë”.

Ai u është referuar dorëheqjeve kolektive të pjesëtarëve serbë nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit 2022, si shenjë pakënaqësie me vendimet e Qeverisë së Kosovës në veri.

Lista Serbe, në mes të vitit 2022, pati konfirmuar se zyrtarë të saj të lartë, duke përfshirë edhe kryetarin e atëhershëm, Goran Rakiq, kanë qenë në listën e të dyshuarve për “rrëzimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Atëbotë pati reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke deklaruar se për këtë ka njoftuar Bashkimin Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Zyrtarë të lartë të Listës Serbe zakonisht kanë mbështetur të gjitha protestat ose barrikadat e serbëve në veri të Kosovës, të cilat kishin për qëllim kundërshtimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës ose zbatimin e tyre në terren.

Sveçla ka thënë se po punohet vazhdimisht në rritjen e efikasitetit të Policisë në reagim, pasi sfidat në veri janë të mëdha.

“Ne asnjëherë nuk do të themi se ja kemi dalë, se nuk do të ketë sulme të reja, për aq kohe sa kemi përpara një Serbi jodemokratike, kemi një Serbi paramilitare, e qeverinë e saj fashiste”.

Lista Serbe – parti që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka konfirmuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë një mori veprimesh këtë vit në veri, përfshirë ndalimin e dinarit serb për kryerje të pagesave të para të gatshme dhe mbylljen e disa institucioneve paralele serbe, për siç kanë thënë, shtirje të sovranitetit.

Disa prej tyre janë kritikuar nga faktori ndërkombëtar, duke u konsideruar si të njëanshme dhe i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës koordinim më të mirë. REL

Nexhmi Rexhepi zgjidhet kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Gjyqtari Nexhmi Rexhepi është zgjedhur të martën kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Sipas njoftimit të gjykatës, Rexhepi do ta nisë mandatin më 31 dhjetor të këtij viti, pasi kryetares aktuale, Gresa Caka – Nimani, i përfundon mandati nëntëvjeçar i gjyqtares në këtë institucion.

Gjyqtari Safet Hoxha, është zgjedhur zëvendëskryetar i gjykatës në përbërjen e re.

Gjyqtarët emërohen nga presidenti i shtetit, me propozim të Kuvendit, për një mandat nëntëvjeçar, pa mundësi vazhdimi.

Ndërsa pozita e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese është tri vjet.

Gjykata Kushtetuese është autoriteti më i lartë në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.REL

Ambasadori amerikan: Ka aktorë të huaj që duan ta minojnë demokracinë e Kosovës duke shfrytëzuar përçarjet etnike

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se në Kosovë ka “aktorë të huaj keqdashës aktivë që duan të minojnë demokracinë e Kosovës duke i shfrytëzuar përçarjet etnike”.

“Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë” tha Hovenier të martën në Prishtinë, në një konferencë për integritetin e informacionit DISICON, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me seli në Uashington.

Ai shtoi se dezinformimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta gjithmonë, veçanërisht gjatë periudhës zgjedhore, në të cilën Kosova ndodhet aktualisht përpara zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ai kujtoi audiencën për një bisedë të rreme të publikuar në rrjetet sociale disa vite më parë, e cila përfshinte një bisedë të rreme mes tij dhe kryeministrit Kurti dhe që kishte për “synim të mbillte mosbesim brenda komunitetit serb të Kosovës”.

“Fatmirësisht, jo shumë njerëz e morën seriozisht… Por, fakti që një aktor shkroi një skenar, përgatiti një skenar, krijoi një regjistrim krejtësisht të dizajnuar për të mbjellë mosbesim dhe shqetësim në komunitetin serb dhe e publikoi atë në rrjetet sociale, është një tregues i këtij problemi”, theksoi ambasadori amerikan.

Hovenier, i cili po përfundon mandatin e tij në Kosovë në fund të dhjetorit dhe po pensionohet, theksoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës si një vend i larmishëm dhe në mbështetje të mediave të pavarura, përfshirë ato që drejtohen nga pakicat.

“Dhe, ne jemi shumë të vetëdijshëm për mediat që ofrojnë informacion të paanshëm dhe të saktë. Jemi të vetëdijshëm se ka disa që përpiqen të shfrytëzojnë këtë pretendim për të bërë diçka krejtësisht tjetër, për të dhënë një mesazh që synon qëllime shumë, shumë të ndryshme nga informimi i komunitetit. Kjo duhet të denoncohet dhe ne duhet t’i mbështesim mediat e pavarura”, deklaroi Hovenier.

Ai tha se “puna jonë së bashku është larg përfundimit”.

“Në fakt, mund të argumentoni se [puna] mbi këtë çështje, sapo ka filluar dhe ne jemi me të vërtetë të gatshëm të angazhohemi me të gjithë ju për të gjetur mënyra të reja për t’ju ndihmuar të mbroni demokracinë tuaj”, u shpreh ambasadori amerikan në Prishtinë. /REL/

Mbi 7 milionë euro të ardhura nga eksporti i tyre, mjedra e Kosovës pushton tregun ndërkombëtar

Mjedra e Kosovës thuajse ka “pushtuar” tregun ndërkombëtar. Deri tani 96 për qind e prodhimit të mjedrës eksportohet duke gjeneruar nga 7 deri 7.5 milionë euro të ardhura. Në këtë sektor ka të punësuar mbi 2500 punëtorë.

Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës” ka mbajtur konferencën e 9-të të Mjedrës në Kosovë me temën “Përshtatja e kultivimit të mjedrës ndaj sfidave klimatike”.

Me këtë rast, zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, ka thënë se mjedra është një nga kulturat me rëndësi në bujqësinë dhe ekonominë e Kosovës, nga e cila në këtë sektor ka të punësuar mbi 2500 punëtorë.

Ai ka treguar se 96 për qind e prodhimit të mjedrës eksportohet duke gjeneruar nga 7 deri 7.5 milionë euro të hyra.

Sipas tij ministria ka investuar mbi 300 milionë euro mbështetje financiare për fermerët përfshirë këtu edhe për kulturën e mjedrës, duke shtuar se për t’i përballuar sfidat.

“Kjo konferencë nxjerr në pah rendësin e mjedrës si një nga kulturat me rëndësi në bujqësinë dhe ekonomin e Kosovës. Mjedra me potencialin e saj të jashtëzakonshëm ka kontribuar dhe angazhuar më shumë se 2500 persona të punësuar drejtpërdrejt në këtë sektor, që reflekton një kontribut të madh në fuqizim ekonomik. Ministria ka investuar me mbi 300 milionë euro me mbështetje financiare për fermerët përfshirë edhe kulturat manore si mjedra. Brenda kësaj përpjekje 1.5 milionë euro janë dedikuar për këtë sektor përmes skemave mbështetëse të grandeve dhe subvencioneve. Sot 96 për qind e prodhimit të mjedrës ekspertohet duke gjeneruar 7 deri 7.5 milion euro. Drejt adresimit të sfidave klimatike gjithnjë në rritje, ministria në partneritet me organizata ndërkombëtare iu gjend pranë fermerë pas përmbytjeve të 25 janarit të viti 2023 duke ofruar ndihmë emergjente për mbi 250 fermerëve nga tetë komuna”.

Kurse, Rita Glavitza, udhëheqëse e Agjencisë Austriake për Zhvillim në Kosovë, ka thënë se partneriteti austriak me Kosovën daton që një kohë të gjatë dhe përfshin disa sektor që kanë mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit dhe zhvillim të qëndrueshëm të tij.

“Është e qartë për mu se sa vital është ky sektor për zhvillimin e Kosovës. Puna e juaja, përkushtimi e ka bërë sektorin e mjedrës një shtyllë të rëndësishme në botën dhe jetën rurale të Kosovës. Partneriteti austriak mes Kosovës daton që një kohë të gjatë dhe përfshin disa sektor për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit dhe zhvillim të qëndrueshëm. Për vitet të tëra kemi ndihmuar bujqësinë dhe zhvillimin rural duke e njohur potencialin e tij për të shtyrë përfshirjen ekonomike me teje, për të krijuar vende pune dhe për të avancuar jetën në vendet rurale. Zotimi ynë për Kosovën dhe sektorin bujqësor mbetet i fuqishme dhe konsistent”.

Mustafë Kastrati, Projekti “Promovimi i Ndërmarrsisë” nga GIZ-i, ka thënë se me këtë projekt parashihet që nga viti i ardhshëm për katër vite rresht fermerët do të mbështeten me grande të vogla dhe të mese dhe grande më të mëdha.

“Në kuadër të projektit GIZ ne do të mundohemi që në kuadër të katër viteve të ardhshme në bashkëpunim me Ministrin e Bujqësisë dhe organizatat e tjera që të mbështesim sektor të ndryshëm kryesisht me masa duke u fokusuar në zhvillimin e zonave të thella rurale të cilat edhe mjedra e produktet tjera kanë një perspektiv. Në kuadër të këtij projekti ne do të startojmë nga viti i ardhshëm që të mbështesim me grande të vogla dhe të mesme dhe grande më të mëdha, ferma të ndryshme e shoqata të ndryshme”.

Ndërkaq, Kujtim Lepaja nga Shoqata “Mjedra e Kosovës” ka thënë se këtë vit në rajonin e Prizrenit si shkak i kushteve klimatike kanë pasur dëm më mbi gjysmë milioni euro.

Ai ka thënë se pavarësisht kësaj këtë vit do të jenë të paktën 50 hektar të ri të mbjella me mjedër.

“Pa marr parasysh sfidave ne këtë vit do të kemi të paktën 50 hektar të ri të mbjella me mjedër. Ky vit ka qenë i mot për kulturat pranverore për arsye se deri në fund të qershorit kanë qenë kushte e mira klimatike. Mirëpo nuk ka qenë vetëm ky tregim, për arsye se me 23 qershor rajonin me cilësi që prodhon mjedër në Kosovë që është në Prizren, goditet nga breshëri i ashpër që shkakton dëme mjaftë të mëdha në industrinë e mjedrës. Në një rajon që ka mbjellë 400 ton mjedër këtë vit ka mbledhur vetëm 10 tonë. Këtë vit humbëm rreth gjysmë milion euro në këtë rajon edhe 80 hektar nuk i patëm në prodhim”./Monitor

Zëvendëskryeministri Bislimi mirëpriti në një takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier

 

 

Prishtinë, 9 dhjetor 2024

 

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në një takim lamtumirës ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier.

 

Ai shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin dhe përkushtimin e ambasadorit ndaj vendit tonë përgjatë mandatit të tij. Zëvendëskryeministri theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati dhe partneri kryesor i Republikës së Kosovës dhe vazhdojmë të thellojmë marrëdhëniet e lidhjet mes nesh.

 

Përgjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri foli edhe rreth vizitës së fundit të zhvilluar në ShBA e për takimet e shumta dhe të frytshme të zhvilluara atje.

 

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin për bisedën e takimin e sotëm, si dhe bashkëpunimin në këto tre vitet e fundit, duke i uruar edhe suksese në vijim në detyrat e tij të ardhshme.

 

Ish-ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi dhe ish-kryetari i Malishevës Isni Kilaj dalin sot para Speciales

Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot do të dalin para gjykatës, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, të cilët akuzohen për ndikimin mbi dëshmitarët. Bashkë me ta akuzohen edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu.

Seanca për Kuçin fillon në orën 10:00, kurse për Kilajn në orën 13:00.
Dje, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, nuk janë deklaruar rreth aktakuzës së ngritur ndaj tyre për ndikimin mbi dëshmitarët. Ndërkaq, veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, është deklaruar i pafajshëm.

Hashim Thaçi ishte ai që u paraqit i pari para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Gjatë seancës, Thaçi tha se nuk do të deklarohet, pasi nuk e ka lexuar aktakuzën në tërësi dhe se i duhet ta lexoj që ta kuptoi.

“E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Por unë nuk jam pjesë e garës elektorale, unë nuk paraqes rrezik për askënd. Prandaj, kërkoj edhe sot – unë respektoj dhe besoj në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës – nga të gjithë, kudo që jeni ulur, në cilëndo anë apo në çdo uniformë që jeni në këtë sallë të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, theksoi Thaçi.

Pas deklarimit të Thaçit, gjykatësja kërkoi një pauzë të shkurtër, pasi avokatja e Thaçit kërkoi kohë që t’i japë udhëzime atij. Pas kësaj, Thaçi sqaroi se kur u pyet fillimisht nga gjyqtarja nëse i ka kuptuar akuzat ndaj tij, ai nuk e kishte kuptuar mirë pyetjen. Gjykatësja kërkoi nga palët që të vendosin një datë për vetëdeklarimin e Thaçit.

Mbrojtja tha se është dakord që më 7 janar 2025, Thaçi të vetëdeklarohet rreth aktakuzës. Gjykatësja Marjorie Masselot tha se më vonë do të lëshojë një vendim për këtë çështje.

Gjatë paraqitjes së parë, që zgjati pothuajse 45 minuta, Thaçi theksoi se ai, familja e tij dhe shoqëria kosovare presin përfundimin e procesit ndaj tij dhe tha se pret drejtësi.

Ndërkaq, në paraqitjen e tij të parë para Dhomave të Specializuara, Bashkim Smakaj, tha se dëshiron të shfrytëzojë periudhën 30-ditore për t’u deklaruar për akuzat ndaj tij. Ai theksoi në gjykatore se pas konsultimit me avokatin mori këtë vendim, pasi që pret të marrë edhe materiale shtesë për rastin kundër tij.

Avokati i tij kërkoi lirimin nga paraburgimi dhe tha se Smakaj është i gatshëm të japë garancë 5 mijë euro për lirimin me kusht dhe të dorëzojë pasaportën e tij. Mbrojtja argumentoi se ai nuk paraqet rrezik që të arratiset.

Prokuroria, ndërkaq, tha se nëse Smakaj do të lirohej me kusht, ai do të mund të ndërhyjë te dëshmitarët apo të kryejë vepra të tjera penale.

Gjyqtarja, pas një pauze të seancës, tha se argumentet e mbrojtjes nuk ishin të mjaftueshme për të ndryshuar vlerësimin e saj sa i përket qëndrimit në paraburgim të Smakajt. Ajo tha se ndaj Smakajt qëndron vendimi i saj për paraburgim prej dy muajsh.

Të akuzuarit pranë Dhomave të Specializuara kanë afat që brenda 30 ditësh të deklarohen rreth akuzave që ngrihen ndaj tyre.
Seanca e tretë ishte paraqitja e Fadil Fazliut para Gjykatës në Hagë. Ai tha se para seancës është konsultuar me avokatin e tij dhe u deklarua i pafajshëm për akuzat ndaj tij.

“Kam biseduar edhe me avokatin para një ore. Por, unë jam i pafajshëm, deklarohem i pafajshëm”, tha ai.

Edhe në rastin kundër Fazliut, gjykatësja nuk pranoi argumentet e mbrojtjes për lirimin e tij nga paraburgimi.
Ndaj ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut më 29 nëntor është ngritur aktakuzë e re, e cila është bërë publike më 6 dhjetor. bw

Albin Kurti publikon video se si u organizua sulmi me rreth 20 kilogramë eksploziv në Ibër-Lepenc

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish lidhur me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, i cili ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

Përmes një postimi në platformën ‘X’, ai ka bërë të ditur se sulmi ishte planifikuar me përdorimin e rreth 20 kilogramë eksploziv dhe kishte potencialin për të shkaktuar dëme të mëdha në furnizimin me energji dhe ujë në vend.

‘Përafërsisht 20 kg eksploziv u përdorën në sulmin terrorist të së premtes së kaluar në infrastrukturën tonë kritike. Kjo javë e kaluar mund të kishte qenë shumë ndryshe po të mos kishte qenë reagimi i shpejtë, i koordinuar dhe profesional institucional për të zbutur ndikimin e dëmit’.

‘Si një sulm ndaj popullatës civile, ai mund të kishte reduktuar prodhimin e energjisë në vend me 60 për qind dhe të kishte ndikuar në aksesin e ujit për deri në 40 për qind të popullsisë,’ ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka krahasuar këtë sulm me shënjestrimin e infrastrukturës civile kritike nga Rusia në Ukrainë, duke e cilësuar si një akt alarmant.

Ai gjithashtu ka publikuar një video që dokumenton reagimin institucional brenda 48 orëve të para pas incidentit.

‘Kjo video rrëfen ngjarjet dhe reagimin institucional brenda 48 orëve të para pas sulmit, që ndodhi më 29 nëntor. Ndërkohë që është bërë përparim i dukshëm, përpjekjet institucionale për riparimin e plotë të dëmit dhe rivendosjen e normalitetit janë ende në vazhdim,’ ka përfunduar Kurti. sn

Turqia dislokon afër 350 trupa në Kosovë

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi se ushtria e Turqisë ka dislokuar afër 350 trupa në këtë mision.

“Ata do të zëvendësojnë njësitë italiane” në Forcat Operacionale Rezervë, tha KFOR-i.

Të 350 ushtarët, që janë nga brigada e 65-të e këmbësorisë do të kryejnë një sërë aktivitetesh “së bashku me trupat e KFOR-it dhe do të përfshihen në përgjigjen ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë”.

KFOR-i përsëriti se është i aftë që të parandalojë çdo rrezik të mundshëm përshkallëzues “dhe të përballet me çdo skenar të sigurisë” sipas mandatit që i buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Aktualisht, KFOR-i ka mbi 4.400 trupa ushtarake në Kosovë.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës. REL

Thaçi, Smakaj, Kilaj e Fazliu sot dalin para Gjykatës Speciale

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me tre të akuzuar të tjerë për ndikim mbi dëshmitarët, më 8 dhjetor bëjnë paraqitjen e parë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ndaj Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut më 29 nëntor është ngritur aktakuzë e re, e cila është bërë publike më 6 dhjetor.

Në versionin e redaktuar të aktakuzës prej 15 faqesh, thuhet se Thaçi është takuar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.

Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 5 dhjetor, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu u arrestuan dhe një ditë më pas u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ndërkaq, ndaj Kuçit gjykata ka lëshuar fletëthirrje për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Kuçi do të bëjë paraqitjen e parë para gjykatës më 9 dhjetor.

Thaçi akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.

Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë, “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë. REL

Akuza të reja ndaj Hashim Thaçit për pengim të drejtësisë

VOA

Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, që trajton krimet e luftës në Kosovë, njoftoi të premten se ka ngritur akuza kundër ish Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për vepra penale të pengimit të drejtësisë.

Në njoftim thuhet se zotit Thaçi iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tri akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Në njoftim theksohet se Prokuroria ka arrestuar gjithashtu Bashkim Smakjan, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, për përpjekje për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Që të tre u arrestuan të enjten dhe tashmë janë transferuar në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Të enjten prokuroria bastisi edhe shtëpinë e ish ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ndërsa dje prokuroria tha se i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, thuhet në njoftim, mes të paktën 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të veçanta, zoti Thaçi u ka ofruar zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacione të besueshme për zyrën e prokurorit, dëshmitarët, i udhëzoi ata që të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u ofroi hollësi si ta bëjnë këtë.

Aktakuza pretendon se zoti Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me tre të akuzuarit tjerë si dhe me zotin Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve.

Zoti Thaçi dhe tre të arrestuarit pritet të paraqiten të dielën para gjykatësit ndërsa zoti Kuçi pritet te paraqitet të hënën.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e trajton pengimin e drejtësisë jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që përfshihen në këtë veprimtari”, thuhet në njoftim.

Me 3 prill të vitit 2023 në Gjykatën e Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, filloi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarëve të tjerë të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zoti Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u arrestuan në vjeshtën e vitit 2020, akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Të gjithë të akuzuarit i mohojnë pretendimet e prokurorisë.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës në vitin 2011, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por, kjo çështje nuk u përfshi në asnjë nga akuzat e deritashme, ndonëse ishte në themel të idesë për themelimin e gjykatës.

Deri tani Gjykata e Posaçme ka dënuar dy ish drejtues të Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengimin e drejtësisë.

Gjykata ka shqiptuar ndërkaq dy aktgjykime për krime lufte.

Ish komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, u dënua me 26 vjet heqje lirie në dhjetor të vitit 2022, nën akuzat për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Në dhjetor të vitit 2023, Dhoma e Apelit e kësaj gjykate i uli dënimin në 22 vjet, ndërsa në shtator të vitit dënimi u tij u ul në 15 vjet heqje lirie.

Në muajin korrik të këtij viti Gjykata e dënoi me 18 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e UÇK-së, Pjetër Shala për veprat ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje.

Gjykata Speciale ka bërë tri arrestime të reja

Gjykata Speciale i ka arrestuar tre persona, përfshirë ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), tha të enjten Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së).

Klinaku tha në Facebook se janë arrestuar ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu.

“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë”, shkroi ai në Facebook.

Dhomat e Specializuara në Hagë, që veprojnë me ligje të Kosovës, nuk kanë komentuar ende rreth arrestimeve të raportuara.

Kosova kërkon nga aleatët perëndimorë ta mbajnë Serbinë përgjegjëse për sulmin në kanalin e ujësjellësit

VOA

Autoritetet e Kosovës i kanë bërë thirrje diplomacisë perëndimore të mbajë përgjegjëse Serbinë për sulmin e 29 nëntorit në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës, duke theksuar se sulme të tilla janë kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në Evropë.

Pak pas shpërthimit, institucionet e Kosovës shpërndanë një dokument me gjetjet paraprake në kryeqytetet dhe institucionet perëndimore. Në dokumentin që e ka parë Zëri i Amerikës, thuhet se “një akt i qëllimshëm i sabotimit në afërsi të Zubin Potokut dëmtoi infrastrukturën më kritike në Republikën e Kosovës, konkretisht një kanal ujësjellësi jetik për furnizimin me ujë të pijshëm për rreth 700,000 qytetarë. Objektivi kryesor ishte të shkaktohej një ndërprerje mbarëkombëtare e energjisë duke nxjerrë jashtë punës termocentralet që prodhojnë mbi 60 për qind të energjisë elektrike të Kosovës”.

Ky sulm ndaj infrastrukturës më kritike të një fqinji, thuhet më tej në dokument, “shënon një nivel të ri brutaliteti në fushatën agresive të Serbisë, e ndikuar fuqimisht nga shtrirja dhe bashkërendimi i ngushtë i saj në ushtri, në fushën e zbulimit dhe strategjinë diplomatike me aleatin e saj kryesor, Rusinë. Pamaturia e këtij sulmi të fundit është provë tjetër se Serbia dhe ambiciet e saj agresive janë një kërcënim real për paqen në Evropë. Kosova e ka ngritur vazhdimisht këtë kërcënim në rritje me partnerët e saj dhe komunitetin ndërkombëtar vitet e fundit”.

Në dokument thuhet se sulmi është imitim i “luftës barbare të Rusisë, të përshtatur me rrethanat rajonale. Sidoqoftë, Rusia dhe Serbia kanë intensifikuar sulmet e tyre ndaj një demokracie perëndimore me një prani të rëndësishme të trupave të NATO-s. Kjo formë e re e luftës, një sulm kinetik, jo më thjesht hibrid, është një provë për perëndimin. Nëse nuk përballet dhe zmbrapset, mund të çojë në veprime të ngjashme në Ballkan apo në vende të tjera perëndimore në Evropë”.

Më tej në dokumentin që shoqërohet me fotografi që shfaqin dëmin e shkaktuar nga shpërthimi, jepen të dhëna për rezultatin e veprimeve të policisë së Kosovës e cila arrestoi 8 veta dhe gjatë bastisjeve konfiskoi “200 uniforma ushtarake (me shenja serbe, ruse dhe të tjera), granatahedhës (dy prej të cilëve ishin përdorur më parë), bomba dore, mitralozë, maska kundër gazit dhe pajisje të tjera ushtarake të lidhura me sulmin dhe të ruajtura për operacionet e ardhshme

Sipas dokumentit sulmi paraqet një formë të re të luftës në Evropë, përtej Ukrainës. “Ai është modeluar sipas shkatërrimit brutal të infrastrukturës civile kritike nga Rusia në Ukrainë. Paralajmërimi se Serbia mund të përdorë veprime edhe më shkatërruese, siç është shënjestrimi i digës së liqenit të Ujmanit, nuk është i ri dhe duhet të merret shumë seriozisht pas sulmit të 29 nëntorit”, thuhet në dokument në të cilin kërkohet që diplomacia të dënojë fuqishëm sulmet kundër Kosovës “jo vetëm si shkelje të normave ndërkombëtare por si kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në Evropë, të njohë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Serbisë për sulmin, ta mbajë Serbinë drejtpërdrejt përgjegjëse dhe të vendosë sanksione ndaj saj për strehimin dhe mbështetjen e grupeve terroriste”.

Misioni i Serbisë në Këshillin e Evropës u ka shpërndarë vendeve anëtare një dokument pune, me të cilin mohon përfshirjen në sulmin e 29 nëntorit.

Presidenti Aleksandar Vuçiç, ka thënë së fundmi se vendi i tij është i gatshëm “për bashkëpunim të plotë në kryerjen e hetimeve me të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe institucionet e Prishtinës, por pa rrezikuar sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Serbisë. Ne jemi gati ta bëjmë këtë. Nëse sulmi është kryer nga dikush i kombësisë serbe dhe ai ndodhet në territorin nën kontrollin e Republikës së Serbisë, ai menjëherë do të arrestohet. Deri më tani, nuk kemi informacione të tilla”, tha ai.

Sulmi u dënua nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian, që bënë thirrje për hetim të kujdesshëm dhe të thellë si dhe shprehën përkushtimin për të mbështetur Kosovën për ndriçimin e rastit dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Gjenden sërish armë e municion në veri të Kosovës, ministri i Brendshëm: Kishte edhe uniforma ushtarake të SHBA-së e Britanisë! Ja plani ogurzi i serbëve

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar disa pamje të municioneve, armëve dhe uniformave, që sipas tij, janë gjetur të martën gjatë një bastisjeje në veri të vendit.

 

Sveçla ka thënë se ato janë gjetur në një ahur.

Ministri i Brendshëm ka bërë të ditur se përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, janë gjetur edhe uniforma të ushtrive të SHBA-së dhe Britanisë.

“Përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, në këto dëshmi shihen uniforma të ushtrive të ShBA-ve dhe asaj Britanike dhe ky fakt shpërfaq planet dhe skenarët ogurzi për të kryer krime e sulme dhe për të fajësuar shtete të tjera”, ka shkruar ai.

Sveçla ka paralajmëruar se kushdo që tenton ta cenojë rendin kushtetues e sigurinë e Kosovës, do të ndëshkohet. Panorama

Osmani bisedoi me O’Brien për sulmin në Zubin Potok

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një bisedë me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, lidhur me sulmin e 29 nëntorit ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Këshilltari politik i Osmanit, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se Osmani përveç me O’Brien, ka zhvilluar biseda edhe me udhëheqës të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë edhe me sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy.

“Ajo [Osmani] i ka falënderuar për reagimin dhe dënimin e sulmit ndaj infrastrukturës vitale në Ibër-Lepenc. Diskutimet u fokusuan në sulmin e fundit terrorist ndaj infrastrukturës vitale të Kosovës dhe implikimet e tij për stabilitetin e Kosovës dhe më gjerë”, tha Kupina.

Osmani, sikurse edhe udhëheqësit e tjerë në Kosovë e cilësojnë shpërthimin në Varragë të Zubin Potokut sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike të vendit.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se është i përfshirë, duke thënë se është i gatshëm të bashkëpunojë për hetimin e këtij rasti.

Për situatën në veri, më herët gjatë 3 dhjetorit edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, bisedoi me O’Brienin.

Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar ashpër sulmin në Zubin Potok, teksa ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi një ditë më parë se pavarësisht se është ende herët të dihet fajtori, në këtë fazë “nuk mund të përjashtohet asnjë grup apo shtet”.

“Momentalisht SHBA-ja nuk mund të thotë se kush është mbrapa sulmit, është herët dhe çështje si këto kërkojnë hetime të kryera me kujdes. Ajo që mund të them është se u kemi ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës. Mendojmë që është shumë e rëndësishme që të ketë hetim të thuktë për t’i identifikuar përgjegjësit”, ka deklaruar ai.

Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër edhe nga Bashkimi Evropian, që e ka cilësuar “akt terrorist” dhe “sabotues” ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.

Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Që nga sulmi me mjete plasëse në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok më 29 nëntor, autoritetet e Kosovës po kryejnë bastisje në pjesën veriore të shtetit, të banuar me shumicë serbe.

Gjatë bastisjeve, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar lloje të ndryshme armësh, pajisjesh ushtarake dhe uniforma.

Po ashtu, nga dhjetë të shoqëruarit në Polici, si të dyshuar për përfshirje për shpërthimin në Ibër-Lepenc, dy nga ta janë dërguar në paraburgim për një muaj. REL

Kurti në takim me Costan përmend sulmin e së premtes dhe atë të Banjskës: Radoiçiq dhe grupi i tij rrezik për sigurinë e vendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka bërë thirrje që të hiqen sa më parë masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Po ashtu Kurti ka njoftuar Costan për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, ndërsa ka theksuar rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të Milan Radoiçiqit.

“Kryeministri Kurti theksoi dhe nevojën për heqjen sa më parë të masave ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës. Më tej, kryeministri foli dhe rreth situatës së sigurisë dhe sulmeve të fundit. Ai e informoi Presidentin Costa mbi sulmin kinetik terrorist të së premtes së 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe qëllimin e këtij sulmi për të dëmtuar prodhimin e energjisë elektrike dhe furnizimin e ujit, nga i cili më shumë se gjysma e popullsisë do të mbetej pa energji elektrike dhe ujë. Ai theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

E në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se e ka uruar Costan për detyrën e re dhe i ka ofruar bashkëpunim të ngushtë.

“Në Bruksel pata kënaqësinë që të takoj dhe të bashkëbisedoj me Presidentin e ri të Këshillit Evropian, António Costa, i cili sonte është gjithashtu nikoqir i darkës me liderë të Ballkanit Perëndimor. Kosova është e përgatitur dhe e përkushtuar që të përparojë në rrugën drejt BE-së. Duke e uruar për detyrën e re dhe suksese të shumta gjatë angazhimit të tij, i ofrova bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë, gjersa vendi ynë mbetet i palëkundur në përkushtimin për integrim brenda familjes evropiane, aty ku Kosova përket”, ka shkruar Kurti. sn

Bislimi e akuzon Serbinë për “diskriminim agresiv” të shqiptarëve në Luginë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka akuzuar Serbinë për “diskriminim agresiv” të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet.

Përmes një postimi në X, ai kritikoi Serbinë për “thellim të margjinalizimit” të profesionistëve shqiptarë, teksa foli për emërimin e një gjyqtareje serbe në Gjykatën për Kundërvajtje në Preshevë.

“Këshilli i Lartë i Gjyqësorit në Serbi së fundi ka emëruar Aleksandra Kuzmanoviqin në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë. Ky vendim thellon margjinalizimin e profesionistëve shqiptarë, forcon pabarazinë në institucionet vendimmarrëse”, tha ai.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

“Përkushtimi i Serbisë për të drejtat e minoriteteve është joekzistent. Është urgjente që Bashkimi Evropian të reagojë dhe të ndalë këtë diskriminim agresiv”, tha ai.

Bislimi tha se tre zëvendësprokurorë shqiptarë, që kanë dalë në pension, janë zëvendësuar me prokurorë serbë.

Ai tha se shqiptarët në qarkun e Pçinjës kanë vetëm 12 për qind të posteve në gjyqësor dhe vetëm 2.7 për qind e tyre janë gjykatës, pavarësisht se “përbëjnë 30 për qind të popullatës. Më 2011, Gjykata Themelore e Preshevës po ashtu u shua”.

Bislimi po ashtu tha se situata është e njëjtë edhe në Qendrën Mjekësore në Preshevë, ku ushtruesi i detyrës është një mjek serb, pavarësisht se në këtë zonë, “serbët përbëjnë vetëm 3 për qind të popullatës”.

Shqiptarët që jetojnë në komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – që njihen me termin Lugina e Preshevës – shpesh ankohen për praktika diskriminuese nga shteti serb, teksa zyrtarët në Qeverinë e Kosovës u kanë bërë jehonë këtyre akuzave.

Shqiptarët në Luginë të Preshevës për vite të tëra ankohen po ashtu për pasivizim të adresave të banimit dhe gjatë këtij viti kanë protestuar disa herë duke kërkuar më shumë të drejta.

Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.

Nëse vërtetohet që një banor nuk jeton në atë adresë, merret vendimi për pasivizimin e saj, dhe banori obligohet që të regjistrojë adresën e re brenda tetë ditëve, pas pranimit të vendimit.

Ndonëse ligji parasheh të drejtën për apel, qytetarët kanë thënë se, në disa raste, as nuk kanë mundur të ankohen ndaj vendimit, pasi nuk janë informuar me kohë për pasivizimin.

raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Serbi, të vitit 2021, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përshkruhen si pengje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas raportit, çështja e pasivizimit të adresave “në thelb është formë e spastrimit etnik nëpërmjet metodave administrative”.

Ndërkaq, në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, për vitin 2022, është përmendur se praktika e pasivizimit të adresave në Serbi, konsiderohet veprim kontrovers.

Banorët e Luginës dhe udhëheqës të komunave atje kanë kërkuar disa herë që të ketë prani të mekanizmave ndërkombëtarë, në mënyrë që të monitorohen kushtet e jetesës në atë pjesë. REL

Gërvalla: As 5.000 trupa të NATO-s nuk e ndalën Serbinë e Rusinë në Kosovë

Në takimin e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’ia bllokojë Serbisë negociatat për anëtarësim, duke përmendur sulmet e armatosura në veri dhe ndërhyrjen ushtarake “në një vend me prani të lartë të NATO-s”.

Gërvalla ka thënë të hënën se Serbia po i kopjon strategjitë ruse dhe po i përshtat në kontekstin rajonal, derisa përmendi sulmi e armatosur të Banjskës.

“Serbia po i kopjon strategjitë ruse dhe po i përshtat në kontekstin rajonal. Rusia është thellë e rrënjosur në strukturat e Serbisë, jo vetëm në ekonomi, por edhe në shërbime të inteligjencës…Në shtator të 2023-s thamë se Serbia me 100 trupa paramilitarë, jo 30 si është raportuar, të pajisur me armë të rënda direkt nga arsenali ushtarak serb e pajisje për 400 trupa, ishte në gatishmëri për të hyrë në vendin tonë. Me këtë ndërmori përpjekjen e parë për një ndërhyrje ushtarake në një vend me prani të lartë të NATO-s”, ka thënë Gërvalla.

Kryediplomatja e Kosovës ka deklaruar para Komitetit për Punë të Jashtme se nëpërmjet sulmeve të armatosura Serbia po teston se çka mund të tolerojë Perëndimi. Ajo përmendi edhe lidershipin serb, duke thënë se Beogradi zyrtar nuk e do Evropën, por eurot.

“…As 5.000 trupa të NATO-s s’e ndalën Serbinë e Rusinë. Kjo s’ka të bëjë me tensione etnike. S’ka të bëjë me veriun e Kosovës. S’ka të bëjë me një mosmarrëveshje mes Kosovës e Serbisë. Ajo që po ndodh prej vitesh para syve tanë është konfrontimi i përshkallëzuar me qëllim se çfarë është i gatshëm Perëndimi të tolerojë. S’ka më kohë, duhet të përçohen sinjale të qarta. S’mund të tolerojmë situatën ku ka paralajmërime nga Baltiku e Ballkanit e këto të mos dëgjohen. Sa i përket këtij sulmi (në Varagë të Zubin-Potokut v.j), partia e z.Scholz ka thënë se nëse Serbia e ka bërë këtë, kjo duhet ta ndalojë që ta bllokojë rrugën e Serbisë drejt negociatave me BE-në. Jo vetëm për shkak të Kosovës, por për shkak të stabilitetit të Evropës”, ka shtuar Gërvalla. sn

Pas sulmit terrorist në Ibër-Lepenc, zbulohen emblema të lidhuara me ushtrinë ruse

Njësitet e Policisë së Kosovës po vazhdojnë të kryejnë kontrolle në lokacione të ndryshme në Zubin Potok, pas sulmit që ndodhi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë për Telegrafin se nuk ka bastisje por kontrolle.
“Ka kontrolle duke u zhvilluar përreth terrenit ku ka ndodhur sulmi. Aktualisht diçka tjetër nuk kemi”, ka thënë shkurt Elshani.

Kutojmë se gjatë të shtunës policia kreu basitsje në disa zona në veri, ku u arrestuan tetë persona dhe u gjet arsenal i armëve.

B01f623a 260f 46e5 8c6d 0eb36ccb44b0

Pas gjetjes së këtij arsenali të armëve janë zbuluar edhe emblema që lidhen me forca dhe njësitë ushtarake ruse.

Telegrafi ka siguruar fotografi të këtyre emblemave dhe simboleve që përfshijnë njësitë speciale, forcat ajrore, trupat paqeruajtëse dhe organizata të tjera të lidhura me ushtrinë e Federatës Ruse, duke ngritur shqetësime serioze për praninë dhe ndikimin e mundshëm të grupeve pro-ruse në veri të Kosovës.

Sot në orët e hershme të mëngjesit në fshatin Varagë afër Zubin Potokut, është parë njësiti i specializuar i Policisë së Kosovës K-9, i shoqëruar me qentë e trajnuar policorë.

Ky njësit është angazhuar në asistimin e gjetjes së mundshme të eksplozivit në këtë zonë, ku dy ditë më parë pati sulm terrorist. bw

Ministrja Rizvanolli njofton se Ibër-Lepenci e ka rifilluar furnizimin me ujë

Gypa të vendosur brenda kanalit të dëmtuar të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, Kosovë, pas një shpërthimi të premten natën, 30 nëntor.

 

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha se furnizimi me ujë po kthehet në normalitet në pjesët e prekura të vendit nga një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit, ndërmarrjes publike për furnizim me ujë, në veri të vendit, për të cilin autoritetet kosovare e akuzuan Serbinë.

“Furnizimi me ujë për zonat e prekura nga sulmi terrorist në kanal të Ilbër Lepencit po kthehet në normalitet”, tha ajo në Facebook të dielën.

Ibër-Lepenci e rifilloi punën për furnizimin e fabrikave të ujit në rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës të shtunën në orët e vona, një ditë pasi kanali i saj në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut u dëmtua nga shpërthimi i cilësuar si “sulm terrorist” nga autoritetet kosovare.

Rizvanolli tha se furnizimi me ujë në komunat e Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit filloi mbrëmë vonë.

Ajo shtoi se të dielën uji është lëshuar edhe për në fabrikat e ujit të Drenasit dhe Shkabajt për trajtim dhe ka filluar furnizimi i rregullt i qytetarëve në Skenderaj.

“Brenda pak orësh pritet të normalizohet furznimi për qytetarët e Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit”, theksoi ajo.

Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenci, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, rajonet e Mitrovicës si dhe Prishtina me rrethinë, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Sipas Rizvanollit, prurjet e ujit në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë arritur nivele optimale për furnizim me ujë të termocentralit Kosova B.

Shpërthimi ndaj kanalit në Varragë nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit që rrezikoi furnizimin me ujë dhe rrymë në një pjesë të madhe të vendit.

Autoritetet kosovare reaguan shpejt për t’i ndrequr dëmet përkohësisht, duke vendosur gjashtë gypa brenda kanalit për ta mundësuar vazhdimin e furnizimit më ujë nga ky kanal.

Paraprakisht të shtunën, Kompania e ujësjellësit e rajonit të Mitrovicës, KRU Mitrovica, njoftoi se kishte rifilluar furnizimin me ujë të pijshëm në mënyrë të kufizuar.

Banorë nga një pjesë e Mitrovicës së Jugut u ankuan se kishin mbetur pa furnizim me ujë nga ora 22:00 të premten, si pasojë e këtij sulmi për të cilin autoritetet kosovare e fajësojnë Serbinë.

KRU Mitrovica funksionin si ndërmarrje publike dhe i furnizon me ujë komunat si Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut pjesërisht, Zveçanin, Vushtrrinë dhe Skenderajn, sipas uebsjatit të kompanisë.

Në rrjetin e saj janë të kyçur mbi 100.000 banorë nga këto rajone.

Mbrëmjen e së shtunës, ministrja Rizvanolli tha në Facebook se autoritetet në bashkëpunim me kompani rajonale për furnizim me ujë, kishin sjellë autobotë me ujë në disa komuna, për të ndihmuar në furnizimin e vendeve të prekura pas sulmit.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për “sulm kriminal dhe terrorist” në Ibër-Lepenc, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Serbia i ka mohuar akuzat e autoriteteve kosovare.

Autoritetet kosovare njoftuan të shtunën vonë se tetë të dyshuar janë arrestuar gjatë një aksioni të gjerë në veri të Kosovës në lidhje me këtë sulm që thanë se ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga paslufta.

Sulmi u dënua nga bashkësia ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian dhe Gjermaninë që e cilësuan si “akt terrorist”. REL

 

Nisin patrullimet në Veri, pas sulmit terrorist në Zubin Potok

Gjatë gjithë këtyre orëve veriu i vendit po vazhdon të jetë i blinduar nga forcat e shumta të policisë. Që në Lagjen e Boshnjakëve e tutje, janë parë kordonë të shumtë të forcave të sigurisë, ndërsa lëvizjet e qytetarëve matanë Ibrit janë të pakta. Dëmtimi i infrastrukturës, la pa ujë shumë banorë. Përmes cisternave të ujit, kompania rajonale e ujësjellësit u mundua që t’i furnizojë me ujë të pijshëm këta banorë.

Si rrallë herë, kordonë të gjatë të Policisë së Kosovës po qarkullojnë në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës. Pak metra më poshtë, mesditën e së shtunës u panë edhe forca tjera të policisë. Patrullime pati edhe në pjesë tjera të Mitrovicës së veriut.

Pas sulmit të së premtes në kanalin e ujit të Ibër Lepencit, masat e sigurisë u shtuan në këtë komunë. E situata gjatë ditës ishte e qetë. Ndërsa, lëvizje të shpeshta të Policisë së Kosovës e KFOR-it u panë edhe përreth “Ibër Lepencit”.

Përveç tyre, të shpeshta ishin edhe qarkullimet e atyre që u përkujdesën që banorët e këtyre komunave të mos mbesin pa ujë.

Në Skenderaj dhe Mitrovicë tashmë ka nisur shpërndarja e ujit të pijshëm përmes cisternave.

Cisternat kanë lëvizur në pjesë të ndryshme të këtyre komunave, në mënyrë që t’u dal në ndihmë për furnizim banorëve të tyre.

Disa prej banorëve thanë se furnizimi me ujë është i qëndrueshëm, dhe nuk kanë nevojë për ndihmë.

Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook njoftuan se impiantet për trajtimin e ujit vazhdojnë të jetë jashtë funksionit.

Ndërkaq gjatë ditës u mblodh edhe Komiteti për Menaxhimin e Emergjencave në veri të vendit i cili diskutoi për masat që duhet të ndërmerren në këtë situatë. bw

Shpërthimi në Zubin Potok, Orban dënon sulmin: Të kryhet hetim i paanshëm dhe gjithëpërfshirës

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka dënuar sulmin në Zubin Potok, i cili goditi kanalin e Ibër Lepencit.

Orban në një reagim në platformën X, ka kërkuar hetim të paanshëm dhe gjithëpërfshirës të rastit.

“Dënojmë sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës në Zubin Potok. Në vend të akuzave të njëanshme, ne bëjmë thirrje për një hetim të paanshëm dhe gjithëpërfshirës”, shkroi Orban në X.

“Përmbajtja është e domosdoshme për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon”, shkroi kryeministri hungarez. bw

“Autorët të mbajnë përgjegjësi”- Ministri britanik për Evropën e quan “të tmerrshëm” sulmin në kanalin e Ibër Lepencit, kërkon hetim të plotë

Ministri britanik për Evropën, Stephen Doughty e ka quajtur të tmerrshëm sulmin e mbrëmshëm në kanalin e Ibër-Lepencit.

Ai ka kërkuar hetim të plotë për këtë ngjarje, teksa ka lavdëruar punën e organeve për kufizimin e dëmit.

“Sulmi i tmerrshëm ndaj ujësjellësit të Ibër Lepencit kishte për qëllim të prishte jetën në të gjithë Kosovën. Përpjekjet e suksesshme të punonjësve të emergjencës për të kufizuar dëmet kanë rikthyer infrastrukturën jetike. Duhet të bëhet një hetim i plotë dhe i menjëhershëm. Ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi.”, tha ai.bw

Bislimi: Krahu i djathtë i Radoiçiçit, i dyshuar për shpërthimin në Zubin-Potok!

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka akuzuar Serbinë për mbështetje dhe financim të Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi organizator të sulmeve në Kosovë. Sipas Bislimit, krahu i tij i djathtë, Nemanja Radivojeviq, është i dyshuari kryesor për sulmin me granatë dore në Zveçan para disa ditësh. –

Bislimi thekson se, megjithëse Serbia distancohet publikisht nga aktet terroriste, ajo vazhdon të lejojë Radoiçiqin të veprojë dhe të planifikojë sulme nga territori serb. Ai përmendi edhe rastin e ngjashëm të sulmit në Banjskë, shtatorin e kaluar, ku një polic kosovar u vra. Sulmet e fundit, përfshirë atë ndaj kanalit Ibër-Lepenc, po shihen si sulme ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke prekur furnizimin me ujë dhe energji për disa rajone, përfshirë Prishtinën.

Postimi i plotë i zëvendëskryeministrit Bislimi

Me një komunikatë të gjatë Lista Serbe u nxitua mbrëmë që të distancohet nga sulmi terrorist i eksplodimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, kur pakçka dihej. Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, u distancua vetëm që të mund ta sulmojë Kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot tha që nuk deshi të nxitohej në distancim të hershëm. Ndërkohë, kështu kanë thënë edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit kur e vranë rreshterin e policisë sonë, Afrim Bunjakun. Janë distancuar por ende e mbështesin dhe financojnë Millan Radoiçiqin i cili qarkullon nëpër Serbi dhe planifikon e organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit. Dora e djathtë e tij, Nemanja Radivojeviq – Gandi, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024, e që bashkë me sulmin në ndërtesën e komunës atje më 28 nëntor 2024, i paraprinë sulmit terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike që na mundëson ftohjen e termoelektranave që prodhojnë energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës përfshirë një pjesë të kryeqytetit, Prishtinës. sn

Borrell: Dënojmë sulmin terrorist në Zubin Potok

VOA

Bashkimi Evropian e dënoi të shtunën, siç tha “me fjalët më të ashpra sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës”.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha në një deklaratë se ky “është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën thelbësore civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të saj”.

Në deklaratë thuhet se BE-ja u ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të bashkërendojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë këtu edhe KFOR-in. Misioni civil i BE-së për sundimin e ligjit EULEX po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë ata në mbarë Kosovën që janë prekur nga sulmi. Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme”, tha zoti Borrell, duke nënvizuar se “veprimi kriminal i kryer në Zubin Potok duhet të hetohet dhe autorët e tij të vihen para drejtësisë”.

Bashkimi Evropian tha ai, do të vazhdojë të ndjek nga afër zhvillimet dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës.

Këshilli i Sigurisë ndërmerr masa emergjente pas shpërthimit në Ibër-Lepenc

Një oficer i Policisë së Kosovës vështron kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në veri të vendit, ku një shpërthim të premten shkaktoi dëme, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë, 30 nëntor.

 

Këshilli i Sigurisë i Kosovës ka ndërmarrë masa emergjente për zbutjen e pasojave dhe për ta ruajtur sigurinë e infrastrukturës kritike të vendit, pas një sulmi që i shkaktoi dëme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit, tha Qeveria në një njoftim.

Këshilli mbajti takim të jashtëzakonshëm, ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, disa orë pasi një shpërthim mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.

Autoritetet kosovare e kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, gjë që është mohuar nga ajo.

Policia e Kosovës është duke kryer bastisje në disa shtëpi në veri të vendit, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i policisë për veriun, Veton Elshani, pa dashur të japë më shumë hollësi.

Qeveria tha se janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt.

“Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim, sipas Qeverisë.

Nga ky kanal furnizohen me ujë disa qytete të vendit përmes Liqenit të Ujmanit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Dëmet janë riparuar vetëm pjesërisht gjatë natës, pasi uji mund të shihet duke rrjedhur ende nga kanali, por në një masë më të vogël. Bie në sy prania e KFOR-it në afërsi të kanalit të dëmtuar, bashkë një veturë të EULEX-it, ndërsa prania e Policisë së Kosovës është shtuar edhe në pjesë të tjera të komunës së Zubin Potokut.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha më herët se pas këtij takimi është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë.

Autoritetet kosovare e kanë akuzuar shtetin fqinj, Serbinë, se qëndron pas këtij sulmi.

“Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq, nën dirigjimin e presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste”, thuhet tutje në njoftim.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, që iu referua Këshilli, u shpallën organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës qershorin e vitit të kaluar, ndërsa Radoiçiq, politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, e mori përgjegjësinë për sulmin e vitit të kaluar kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë ndaj tij dhe 44 personave të tjerë për atë sulm, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues.

Në komunikatë, Qeveria e ndërlidhi sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit edhe me sulmet që ushtria ruse është duke i kryer pareshtur ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

“U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit”, tha ajo.

Por, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, mohoi se Serbia ka gisht, duke thënë se derisa “regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm.

“Serbia dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi thellësisht shqetësues rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”, tha Gjuriq në një reagim në X.

Sulmi ndaj Ibër-Lepencit ishte i treti brenda 72 orëve të fundit në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe, pas shpërthimeve që ndodhën në një stacion policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan.

Qeveria tha se e ka rritur bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.

Gjatë mbledhjes, Kurti tha se Kosova “është e vendosur dhe e përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike”.

Shpërthimi në Ibër-Lepenc nuk ka shkaktuar viktima, sipas autoriteteve të Kosovës.

Sulmi u dënua edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë. REL

Kurti thotë se ka komunikim të vazhdueshëm me Osmanin për politikën e jashtme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të premten se ka komunikim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për politikën e jashtme, pas fjalimit të saj kritikues se marrëdhëniet e vendit me aleatët po vihen në rrezik.

Në fjalimin e saj vjetor para deputetëve më 21 nëntor, Osmani bëri thirrje për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën.

I pyetur rreth kësaj deklarate gjatë një ngjarjeje në Podujevë të premten, Kurti tha se “unë vazhdimisht kam qenë në komunikim dhe bashkërendim edhe me presidenten Osmani edhe kryeparlamentarin [Glauk] Konjufca edhe ministren e jashtme [Donika] Gërvalla sa i përket politikës së jashtme”.

“Besoj që të arriturat i kemi të përbashkëta edhe kësisoj duhet të vazhdojmë. Nuk ka vështirësi dhe sfida të tilla që nuk i tejkalojmë”, tha Kurti.

Osmani theksoi se aleanca e Kosovës me vendet e tjera “është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.

“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e republikës sonë”, tha ajo.

Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr Kurti, është kritikuar dhe akuzuar nga Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i vendit, si dhe nga Bashkimi Evropian, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në 12 muajt e fundit, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë hapash për ta shtrirë autoritetin në veriun e banuar me shumicë serbe, duke mbyllur institucionet paralele serbe, duke ndaluar dinarin dhe duke ndërtuar stacione policore.

Kurti vazhdimisht këmbëngul se veprimet e Qeverisë së tij nuk janë të drejtuara kundër askujt, se ndjek Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe se marrëdhëniet me SHBA-në janë të mira, me gjithë mospajtimet për disa çështje.

Presidentja Osmani tha gjatë adresimit të saj se “asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”.

Marrëdhëniet mes Kurtit dhe Osmanit filluan të pësojnë çarje gjatë verës së këtij viti, kur Presidenca e Kosovës tha në qershor se Qeveria nuk ishte konsultuar me të, lidhur me hapat që ka bërë Kosova për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Kurti kishte thënë asokohe se nuk kishte dallime të patejkalueshme me Osmanin.

Lista Guxo, e themeluar nga presidentja Osmani së bashku me ministren Gërvalla, pati garuar në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021.

Guxo, së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, patën fituar mbi 50 për qind të votave.

Qeveria e re, në krye me Kurtin, u formua më 22 mars të vitit 2021.

Vjosa Osmani u zgjodh presidente pak ditë më vonë, më 4 prill 2021. REL

MPJD: Nga 1 dhjetori, qytetarët e Kosovës pa viza drejt Tajvanit

Nga 1 dhjetori, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza drejt ishullit vetëqeverisës të Tajvanit.

Kështu bëri të ditur zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i cili tha se regjimi pa viza vlen për poseduesit e pasaportave të rregullta, diplomatike apo zyrtare të Kosovës.

Aktualisht, qytetarët e Kosovës duhet të pajisen me vizë me të mbërritur në Tajvan.

“Kjo shënon një hap tjetër të rëndësishëm në fuqizimin ndërkombëtar të pasaportës së Kosovës, ku vetëm brenda këtij mandati qeverisës u mundësua udhëtimi pa viza në Zonën Shengen, Emiratet e Bashkuara Arabe, Tajlandë, Izrael dhe tani edhe në Tajvan”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Ahmeti tha se lëvizja e lirë pa viza me Tajvanin do t’i hapë rrugë partneritetit ekonomik, shkëmbimeve në fushën e edukimit si dhe bashkëpunimit kulturor.

Tajvani e ka njohur pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2008.

Kina – që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – pretendon se Tajvani është pjesë e saj dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës që një ditë të marrë nën kontroll ishullin. REL

Zyrtarët e Kosovës e dënojnë sulmin ndaj Komunës së Zveçanit si akt kriminal

Zyrtarët e Kosovës e kanë dënuar si akt kriminal një sulm ndaj ndërtesës së Komunës së Zveçanit në veri të Kosovës të enjten vonë, i cili ishte i dyti brenda dy ditëve ndaj institucioneve të vendit në këtë komunë të banuar me shumicë serbe, pas sulmit me granata dore në një stacion policor.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se ndërtesa komunale u sulmua me mjet shpërthyes të enjten para mesnatës, i cili dyshohet se ishte “granatë dore e llojit M-75”.

Elshani theksoi se nuk ka të lënduar nga ky shpërthim dhe se policia nuk ka identifikuar ende ndonjë të dyshuar për kryerjen e sulmit.

Sulmi i shkaktoi dëme ndërtesës së Komunës dhe katër automjeteve të parkuara aty pranë, ndërsa policia ka nisur hetimet tashmë, sipas Elshanit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se këto sulme “janë akte kriminale dhe terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë”, kur u pyet për sulmin të premten gjatë një ngjarjeje në Podujevë.

Por, ai nguli këmbë se gjendja e sigurisë në veriun e tensionuar të Kosovës “kurrë nuk ka qenë më e mirë e sigurt se sa tani”.

“Keqbërës nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat kriminale ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë, ose strehohen diku edhe jashtë rajonit tonë. Nuk kemi burime të brendshme të destabilitet potencial, apo të kërcënimit të sigurisë, të cilët nuk i menaxhojmë, e nuk ia dalim në ballafaqim me ta”, tha Kurti.

Në një postime në Facebook, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e fajësoi Serbinë për, siç tha, “dirigjimin” e bandave kriminale për kryerjen e sulmet të ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri.

“Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë”, shkroi Sveçla.

Ai e përsëriti se “koha e pandëshkueshmërisë dhe amnistisë ndaj bandave kriminale ka përfunduar. Kushtetushmëria, ligjshmëria, rendi e ligji do të funksionojnë në çdo cep sikurse liria dhe të drejtat e qytetarëve nuk mund t’i ndalojë askush përmes frikës e terrorizimit”.

Sulmi u dënua edhe nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, i cili tha se sulmet e tilla “nuk do të zbehin vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për të vendosur rendin dhe për të garantuar mirëqenien për të gjithë qytetarët tanë”.

“Mbrëmë grupe kriminale kanë sulmuar me granatë dore Komunën e Zveçanit. Komunat e Republikës së Kosovës janë funksionale dhe të gatshme për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të tyre, pa dallim”, shtoi ai.

Komuna e Zveçanit udhëhiqet nga një kryetar shqiptar prej fillimvitit 2023, pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe i bojkotuan zgjedhjet komunale në prill të atij viti.

Të mërkurën, kuvendi komunal i Zveçanit e shënoi 28 Nëntorin – përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – në një seancë solemne. Kjo është hera e parë që u shënua kjo ngjarje – e cila nuk është festë zyrtare në Kosovë – në këtë komunë.

Kryetari i Komunës, Ilir Peci, e dënoi sulmin në një postim në Facebook, ku publikoi edhe fotografi që shfaqin dëmet që shkaktoi shpërthimi.

“Si kryetar i Komunës, unë e dënoj fuqishëm këtë akt të papranueshëm të dhunës dhe terrorit ku para dy dite ka ndodhur i njëjti sulm në stacionin policor të Komunës së Zveçanit”, tha Peci.

Në vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë sulmesh të tilla.

Rastet e hedhjeve të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave u rritën veçmas gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Prej atëherë, tensionet në veri vazhdojnë të jenë kryesisht të larta, gjithashtu për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si hapa për shtirje të sovranitetit në këtë pjesë.

Sulmi ndaj ndërtesës së Komunës të mërkurën vjen vetëm dy ditë pasi stacioni policor në këtë qytet verior u sulmua me dy granata dore nga persona të panjohur.

Në fillim të kësaj jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se në fshatin Izvor të Zveçanit po ndërtohej një nënstacion i ri policor.

Përfaqësuesit e komunitetit serb kundërshtojnë ndërtimin e stacioneve policore ose bazave policore, me arsyetimin se ata janë të ekspozuar ndaj “presioneve dhe diskriminimit” nga ana e Policisë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka vlerësuar ndërtimin e stacioneve të reja si “një mjet shtesë për shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”. REL

Pjetër Shala urdhërohet t’ua paguajë 208 mijë euro viktimave të tij

Doruntina Baliu

Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili është dënuar për krime lufte nga trupi gjykues i Gjykatës Speciale, është urdhëruar për zhdëmtim të viktimave të tij në shumën prej 208 mijë eurosh.

Shala ishte dënuar me 18 vjet burgim më 16 korrik nga Gjykata e Specializuar për krime lufte e Kosovës, me seli në Hagë.

Ai është shpallur fajtor për ndalim arbitrar dhe torturë kundër së paku 18 personave, dhe në pikën e vrasjes së paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

Sipas Gjykatës, viktimat kanë qenë kryesisht shqiptarë të Kosovës, që kanë pësuar dëme nga shqiptarë të tjerë të Kosovës.

Çka është Gjykata Speciale?

Gjykata Speciale funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe aktualisht heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Gjykata Speciale financohet nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe disa shtete të tjera kontribuuese.

Shala, i njohur me nofkën “Ujku”, është deklaruar më parë i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Në shpalljen e urdhrit për zhdëmtim më 29 nëntor 2024, gjykata konstatoi se janë tetë viktima, që do t’u takojë dëmshpërblimi.

Viktima e parë, me dëme direkte, sipas Gjykatës, është e paraparë të pranojë 100 mijë euro dëmshpërblim për dëme fizike, mendore dhe materiale.

Kjo pasi sipas vendimit paraprak, me të cilin u dënua Shala, viktima e lartpërmendur ishte ndaluar arbitrarisht, me ç’rast ishte keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht me pasoja afatgjate.

Në anën tjetër, shuma e mbetur është ndarë në kompensime individuale dhe kolektive për shtatë viktimat e tjera, jo të drejtpërdrejta, përkatësisht familjarë të viktimave nga gjykimi i Shalës.

Gjykatësja e Gjykatës Speciale, Mappie Veldt-Foglia gjatë shqiptimit të vendimit tha se sa i përket ekzekutimit, “përgjegjësia për pagesën bie ekskluzivisht te Shala”.

Megjithatë, sipas saj, nga informacionet që ka marrë paneli gjyqësor, Shala aktualisht nuk ka mundësi materiale për ta kryer këtë kompensim.

Andaj, sipas gjyqtares, aktualisht mbetet e paqartë mënyra se si do të kompensohen këto viktima sipas urdhrit për zhdëmtim.

“Kosova nuk ka marrë ndonjë hap për t’u përgatitur për nevojat për të siguruar zhdëmtimet e viktimave nga rastet e Gjykatës Speciale”, tha ajo.

Gjykata Speciale ka bërë të ditur se do të caktojë një gjyqtar specifik për monitorimin e zbatimit të urdhrave për zhdëmtim, si dhe u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të sigurojnë fonde për zhdëmtimin e viktimave sipas vendimeve të kësaj gjykate.

Shala është personi i katërt që tashmë ka marrë dënim nga kjo gjykatë, ndërsa i dyti ndaj të cilit është shqiptuar urdhër për zhdëmtim të viktimave.

Si parashihet zhdëmtimi i viktimave brenda Gjykatës Speciale?

Më ligjin, nëpërmjet të cilit është krijuar Gjykata Speciale, parashihet që viktimat e konstatuara të krimeve brenda juridiksionit të kësaj gjykate, ta kenë të drejtën e zhdëmtimit.

Ligji parasheh që gjykata mund të shpallë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim apo, në disa raste, t’i udhëzojë viktimat që të ngrenë padi civile në gjykatat tjera të Kosovës.

Në rastin e Pjetër Shalës, gjykata dha urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtimin e viktimave.

Sipas legjislacionit aktual, ekzistojnë mundësi të vogla të kompensimit të këtyre viktimave nga buxheti i Kosovës, në qoftë se ata nuk kompensohen nga personi i dënuar, si në këtë rast.

Kjo, për shkak se gjatë hartimit të ligjeve, me të cilat është themeluar Gjykata Speciale, nuk është paraparë ndonjë fond i veçantë për t’i kompensuar viktimat e mundshme që dalin nga ky proces.

E vetmja formë brenda legjislacionit të Kosovës, për këtë kompensim është përmes ligjit aktual për kompensimin e viktimave, që është ligj që përfshin të gjitha viktimat e krimeve në Kosovë, jo vetëm ato të determinuara nga Gjykata Speciale.

Ky ligj parasheh që viktimat e krimeve të kryera brenda territorit të Kosovës, të mund të kompensohen nga programi shtetëror, në rastet kur për një arsye ose tjetër nuk mund të kompensohen nga personi që e ka kryer krimin ndaj tyre.

Megjithatë, brenda këtij ligji parashihen kufizime për shumat maksimale që mund të marrin viktimat individuale të krimeve.

Varësisht nga lloji i dëmeve që mund të ketë pësuar viktima e një krimi, në këtë ligj parashihen shuma të kompensimit deri në 4 mijë euro dhe në raste shumë të veçanta deri në 10 mijë euro.

Këto shuma nuk mbulojnë shumat e parapara në urdhrin e zhdëmtimit për viktimat e Pjetër Shalës.

Tash për tash, nuk dihet nëse viktimat kanë marrë kompensimin prej 207 mijë eurosh nga urdhri i mëparshëm për zhdëmtim në rastin e Salih Mustafës, tjetër i dënuar nga Gjykata Speciale, në vitin 2022.

Më herët, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), i cili merret me drejtësinë tranzicionale, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë një legjislacion adekuat dhe mekanizma që do të mundësonin realizimin e dëmshpërblimit për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë.

Si është bërë zhdëmtimi i viktimave të luftës në rajon?

Rajoni i Ballkanit Perëndimor është përfshirë nga luftëra të përgjakshme në vitet ’90, të cilat kanë çuar në shpërbërjen e Jugosllavisë së atëhershme.

Në vitin 1993 është themeluar Tribunali i Hagës, i cili ka trajtuar krimet e luftës, të kryera në këtë rajon në atë kohë.

Aktakuzat e kësaj gjykate kanë përfshirë periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2001 dhe kanë pasur në shënjestër anëtarë të grupeve të ndryshme etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Kjo gjykatë, ndryshe nga Gjykata e tanishme Speciale e Kosovës, nuk ka shqiptuar ndonjë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim të viktimave, mirëpo viktimat janë udhëzuar t’u drejtohen gjykatave vendore përkatëse për të siguruar zhdëmtimin.

Sipas një raporti të vitit 2021 të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, qindra padi për zhdëmtim janë bërë në gjykatat në Serbi, duke kërkuar kompensim nga shteti serb për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ‘90.

Ky raport nuk tregon se sa raste kanë fituar dëmshpërblim në total, por kritikon gjykatat se kanë ofruar shuma të vogla për kompensim dhe kanë tejzgjatur procedurat gjyqësore për viktimat.

Në anën tjetër, sipas të dhënave nga Mali i Zi, miliona euro janë paguar në emër të zhdëmtimit të viktimave të krimeve të luftës në këtë shtet.

Sa i përket Bosnje dhe Hercegovinës, ky shtet nuk ka një ligj specifik shtetëror për t’i mbështetur viktimat e luftës, përfshirë viktimat e dhunës seksuale.

Në një rast të paprecedentë, një viktimë e përdhunimit seksual gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë ka arritur që përmes Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, ta detyrojë shtetin e Bosnjës që t’i paguajë një dëmshpërblim prej 15 mijë eurosh. REL

Skandali- Të arrestuarit për mbishkrimin “Kosova është Serbi”, pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi

Dy nga tre personat e arrestuar në Kosovë për mbishkrimin “Kosova është Serbi” janë pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi, konfirmoi të mërkurën ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq.

“Në këtë moment, ata dy ndodhen zyrtarisht në pushim mjekësor dhe bëhet fjalë për pjesëtarë të mirë dhe shembullorë të ushtrisë”, tha Krapoviq në një komunikatë. Policia e Kosovës i arrestoi tre njerëz nga Nikshiqi për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në manastirin e Deçanit më 24 nëntor, mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Dy ditë pasi u dërguan në mbajtje, Gjykata Themelore në Pjesë urdhëroi një muaj paraburgim për Rajko Krivokapiq 34 vjeç, Marinko Jovanoviq 24 vjeç, dhe Dragutin Llallatoviq 24 vjeç.

Prokurori në Pejë i akuzon ata për veprën penale “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit”.

Avokatja e tyre, Jovana Filipoviq, tha për mediat në Kosovë se do të bëjë ankesë, duke theksuar se vendimi i Gjykatës ishte shumë i ashpër.

Mbishkrimet që e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë, autoritetet kosovare i trajtojnë si provokim dhe nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar.

Kryetari i komunës së Nikshiqit, Marko Kovaçeviq, i cili është funksionar i partisë Demokracia e Re Serbe (Nova Srpska Demokratija – NSD), pjesë e Frontit Demokratik prorus që së fundmi është shpërbërë, ka reaguar duke dënuar veprimet e institucioneve të Kosovës dhe duke u bërë thirrje të arrestuarve që “t’i përballojnë vështirësitë në të cilat janë gjendur”.

Në profilin e tij në Facebook, ai deklaroi se Ambasada e Malit të Zi në Kosovë nuk ka reaguar për të mbrojtur tre qytetarët nga Nikshiqi, edhe pse është kontaktuar nga persona të afërt me të arrestuarit.

Partia e tij, e drejtuar nga Andrija Mandiq, kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të Malit të Zi dhe bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë.

“Ky incident është vetëm një nga rastet e shumta të terrorit ndaj popullit serb në Kosovë, i cili tashmë është shtrirë edhe ndaj qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në deklaratën e NSD-së.

Edhe Kisha Ortodokse Serbe (KOS) në Mal të Zi ka reaguar, duke nisur “një protestë të ashpër ndaj krahinës jugore serbe” për arrestimin e besimtarëve, si dhe një protestë ndaj autoriteteve malazeze.

“Ky incident kërkon dënimin më të ashpër për mungesën poshtëruese të reagimit të shtetit të Malit të Zi, Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme dhe Qeverisë së saj, të cilat nuk i dolën në mbrojtje qytetarëve të vet”, thuhet nga KOS në Mal të Zi. Institucionet shtetërore nuk janë prononcuar lidhur me arrestimin e tre të rinjve nga Mali i Zi.

Partitë politike proserbe në Mal të Zi, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por e konsiderojnë si territor të Serbisë. Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila u rrëzua nga pushteti në gusht të vitit 2020./Rel/

Tubimi i Listës Serbe në Graçanicë, “shuplakë grave që përjetojnë dhunë”

Tubimi i Listës Serbe në Graçanicë me gratë serbe nga gjithë Kosova, 25 nëntor 2024.

 

Sandra Cvetkoviq

“Grindje sipërfaqësore ndëretnike” – kështu e vlerëson Millica Stojanoviq Kostiq, aktiviste për të drejtat e grave nga Graçanica, tubimin e Listës Serbe më 25 nëntor, me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave.

Në atë tubim në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë, kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë – formoi Unionin e Grave të Listës Serbe dhe mbajti edhe një forum.

MIlica Jovanoviq Kostiq

MIlica Jovanoviq Kostiq

Qindra gra nga mjedise të ndryshme serbe në Kosovë, kryesisht të punësuara në institucionet serbe në vend, dëgjuan në heshtje rrëfimet e bashkëvendaseve të tyre për ngacmime seksuale me motive etnike.

Në ato video-mesazhe, gratë shprehnin shqetësimet që përjetojnë kur, siç thoshin, burra të komunitetit shqiptar i ndjekin dhe u bëjnë komente të papërshtatshme.

Përndryshe, një grup joformal i grave nga veriu i Kosovës pretendon se ka mbledhur dhjetëra dëshmi të grave nga komuniteti serb, të cilat kanë përjetuar një formë të ngacmimit seksual nga burrat e komunitetit shqiptar.

Policia e Kosovës konfirmon për Radion Evropa e Lirë se në periudhën nga janari i vitit 2023 deri në tetor të këtij viti janë raportuar pesë raste të ngacmimeve seksuale, një përdhunim dhe pesë sulme seksuale në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Raste të ngacmimeve seksuale janë raportuar në Mitrovicën e Veriut (2), Novobërdë (1), Shtërpcë (1) dhe Zveçan (1).

Një rast i përdhunimit është raportuar në Novobërdë, ndërsa raste të sulmeve seksuale janë raportuar në Mitrovicë të Veriut (2), Shtërpcë (1) dhe Zubin Potok (2).

Ndërkaq, në tërë territorin e Kosovës gjatë vitit 2023 janë raportuar 76 raste të ngacmimeve seksuale, 108 përdhunime dhe 68 sulme seksuale, e këtë vit deri më 27 nëntor janë raportuar 96 raste të ngacmimeve seksuale, 72 përdhunime dhe 73 sulme seksuale.

Një grup joformal i grave, në anën tjetër, thotë se gratë nga komuniteti serb nuk i raportojnë rastet e ngacmimeve seksuale, për shkak se nuk kanë besim në Policinë e Kosovës. Për rastet e tilla thotë se ato i kanë njoftuar përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Organizata joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut ka hapur linjën telefonike në mes të tetorit për raportimin e incidenteve dhe të shkeljeve të të drejtave të qytetarëve në veri të Kosovës.

“Nxitje e urrejtjes për qëllime politike”

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Millica Stojanoviq Kostiq thotë se nuk ishte e përshtatshme që në Ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave, të flitej ekskluzivisht për ngacmimin etnik të grave, kur gratë e komunitetit serb vuajnë çdo ditë nga dhuna e burrave të tyre ose të afërmve të tjerë, të cilët janë serbë.

Ajo thotë se nuk e mohon faktin se shqiptarët u bëjnë komente seksiste grave nga komuniteti serb në Mitrovicën e Veriut, por thekson se ky fenomen është i pranishëm edhe në komunat në jug të Ibrit.

“Nuk mund të tregosh vetëm njërën anë të historisë, sepse në Gushtericë burri vrau gruan e tij – serbi serben. Gratë raportojnë vazhdimisht në stacionin policor në Graçanicë se maltretohen nga burrat e tyre serbë. Nuk mund ta mohoni faktin se në mjediset tuaja, mes popullit tuaj ndodhin gjëra të tmerrshme, kurse ju merrni shembuj vetëm të ngacmimeve etnike dhe i përdorni ato për qëllime propagandistike. Kjo do të thotë se ajo parti do vetëm propagandë, të nxisë urrejtje”, thotë Stojanoviq Kostiq.

Në fillim të gushtit, Marija Zhivkoviq nga Gushterica e Poshtme – komuna e Graçanicës – vdiq pasi burri i saj i kishte shkaktuar lëndime të rënda.

Ajo ishte e punësuar në një nga institucionet shëndetësore në Graçanicë, që punojnë sipas sistemit serb.

Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë së paku 58 gra.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

“Në vend të zgjidhjeve për parandalimin e dhunës, gratë dëgjuan parulla politike”

Pikërisht për shkak të këtyre statistikave, Stojanoviq Kostiq thotë se nuk ka mundur të heshtë në “tubimin politik propagandistik” në Ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave.

“Është një shuplakë për gratë viktima të dhunës. Jam e sigurt se 80 për qind e grave që kanë dëgjuar aty, përjetojnë një formë dhune në shtëpi ose në punë. Dëgjuan parulla se diçka e mirë po ndodhte atë ditë, po formohej Unioni i Grave të një partie”, thotë ajo.

Kjo aktiviste, e cila udhëheq organizatën joqeveritare “E drejta mbi të drejtën”, thotë se Lista Serbe, në atë mënyrë, i ka “poshtëruar” gratë, sepse askush nuk ka thënë se dhuna ndaj grave është rritur dhe nuk ka treguar se çfarë është duke u bërë për ta parandaluar atë dhunë.

Gratë që “ruajnë” Kosovën

Në tekstin autorial, i cili u publikua në ueb-faqen “Zhenski info”, të cilën e redakton vetë, Stojanoviq Kostiq iu referua edhe fjalimeve të zyrtarëve të Listës Serbe, të cilët thanë se gratë “mbrojnë çdo gjë që është serbe” në Kosovë.

“Dhe [Zllatan] Ellek [kryetari i Listës Serbe] më është drejtuar sot. Më ka thënë se Kosova nuk mund të mbijetojë pa mua, mendoj se e ka thënë për të gjitha gratë, nënat në Kosovë… Kështu që mbase më ka përfshirë edhe mua pa dashje. Faleminderit Ellek”, shkroi ajo.

Sipas saj, është e qartë se narrativi është “politik dhe nacionalist”, dhe pyeti se “ku i lindim ato roje, si i ushqejmë, kush i shëron dhe me çka”, duke aluduar në faktin që Qendra Spitalore Klinike në Graçanicë është e vendosur në kontejnerë teneqeje që nga viti 1999.

Stojanoviq Kostiq thotë për Radion Evropa e Lirë se i është dashur të reagojë ndaj këtij tubimi, sepse e dinte se askush tjetër nuk do ta bënte, se askush tjetër “nuk kishte guxim”.

Ajo thotë se pas publikimit të artikullit të saj, ka marrë një mbështetje të madhe nga gratë, të cilat duan të mbeten anonime, sepse “kanë frikë të përplasen me politikanë apo parti të caktuara”.

“Madje, kam marrë reagime dhe mbështetje edhe nga gratë që ishin në atë tubim. I kam postuar në Instagram, por i kam fshehur emrat e tyre, për një arsye. Ato thonë se nuk kanë forcë të luftojnë kundër abuzimeve politike, por më falënderojnë që e kam bërë këtë në emër të tyre”, thotë Stojanoviq Kostiq.

“Si u sollën gratë në atë tubim?”

“Ta pyesim veten se si u sollën gratë në atë tubim”, thotë po ashtu aktivistja.

Më 25 nëntor, ekipi i Radios Evropa e Lirë pa autobusë që sillnin gra në forumin e Listës Serbe nga pjesë të ndryshme të Kosovës.

Autobusi me gra nga mbarë Kosova për një takim të organizuar nga Lista Serbe në Graçanicë.

Autobusi me gra nga mbarë Kosova për një takim të organizuar nga Lista Serbe në Graçanicë.

REL-i ka gjithashtu informacione se drejtorët e institucioneve të caktuara, që punojnë nën sistemin serb, i kanë caktuar disa punëtore që “duhej” të shkonin në atë tubim.

Asnjëra prej tyre nuk ka dashur të komentojë publikisht për këtë çështje.

Për “sjelljen” e grave në tubimin e Listës Serbe kanë reaguar politikanët serbë nga Graçanica dhe Mitrovica e Veriut, Branimir Stojanoviq dhe Aleksandar Arsenijeviq.

“Meqë jeni këtu dhe keni sjellë gra nga zonat tona, do të ishte mirë t’iu përgjigjeshit atyre se si ka mundësi që pas 25 vjetësh, ato lindin fëmijë në një spital 200 metra larg këtu, në kushte katastrofike”, ka thënë Stojanoviq.

“Nën presion dhe shantazhe për vendet e punës, gratë u sollën edhe nga 80 kilometra larg, në mënyrë që Lista Serbe ta organizonte fushatën e saj në Graçanicë. A nuk është kjo dhunë ndaj grave?!”, është shprehur Arsenijeviq.

Lista Serbe nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar të gjitha këto akuza.

Duke folur për gazetarët pas takimit në Graçanicë, kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, ka mohuar se bëhet fjalë për një fushatë parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt.

“Këto janë aktivitete të rregullta të Listës Serbe, e cila dëshiron të tregojë me shembull se gratë kanë ndikim të madh dhe për këtë kemi formuar Unionin e Grave të Listës Serbe”, ka thënë ai.

Aktivistja Stojanoviq Kostiq konstaton se gratë nga radhët e komunitetit serb e kanë të vështirë të luftojnë për të drejtat e tyre me sistemin, sepse janë “vazhdimisht nën represion”.

Përgatiti: Valona Tela

Kosovë, hapet muzeu i të mbijetuarve të përdhunimeve gjatë luftës

VOA/Edlira Bllaca

Dhjetëra histori të të mbijetuarave të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, të dokumentuara përmes tregimeve te shkruara dhe artefakteve që pasqyrojnë përjetimet e tyre janë pjesë e një muzeu që u hap të martën mbrëma në Prishtinë.

Muzeu i të mbijetuarve të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë synon të shërbejë si vend kujtimi dhe nderimi për të mbijetuarit si dhe te rrisë shkallën e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e drejtësisë dhe mbështetjes për ta.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila sot drejton Fondacionin Jahjaga që është në krye të këtij projekti, tha se muzeu është dëshmi e vuajtjeve të një kategorie të shoqërisë e cila deri vonë ishte lënë në harresë.

“Zemra më dhemb kur mendoj se për kaq shumë kohë rrëfimet e të mbijetuarave kanë mbetur të heshtura, të mbyllura brenda mureve të zemrave të tyre, ose më keq akoma, të stigmatizuara nga një shoqëri që shpesh ka zgjedhur të kthej kokën anash. Më rëndon zemra kur mendoj për ata dhe ato që kanë marrë me vete këtë barrë në varr, pa ndarë dhimbjen e tyre, pa parë drejtësi dhe pa parë dritë”, tha zonja Jahjaga.

Muzeu që ndodhet në qendër të Prishtinës është emëruar “çast”.

“Sepse ka qenë një moment që këtyre të mbijetuarave ua ka ndryshuar jetën përgjithmonë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por ka shumë momente që ne i kemi bërë të ndihen në faj pa qenë në faj, ne ua kemi rënduar jetën në paqe, nuk i kemi integruar, nuk i kemi përqafuar në atë se çfarë janë, nuk ua kemi njohur dhimbjen dhe nuk iu kemi krijuar hapësira mjaftueshëm” tha kuratorja e Muzeut, Eliza Hoxha.

Muzeu i të mbijetuarve të përdhunimeve gjatë luftës

Muzeu i të mbijetuarve të përdhunimeve gjatë luftës

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rhode tha se me hapjen e këtij muzeu Kosova po bën një hap të rëndësishëm drejt përballjes me të kaluarën dhe promovimit të pajtimit.

“Ne duhet të flasim për krimet e luftës që kanë ndodhur këtu, duhet t’u japim zë të gjithë të mbijetuarve si dhe duhet të sigurohemi që kryesit vihen para drejtësisë”, tha ai.

Ndonëse ende nuk dihet numri i saktë i viktimave të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, besohet se ky numër është rreth 20 mijë. Në muajin shkurt të vitit 2018 autoritetet hapën procesin e verifikimit të statusit tyre dhe deri tani sipas të dhënave zyrtare, mbi një mijë e 160 persona janë verifikuar.

Një çerek shekulli pasluftës, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare vetëm një person është dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për kryerje të këtij lloj krimi.


Send this to a friend