VOAL

VOAL

Kurti: Kemi identifikuar 45 persona për sulmet në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e Kosovës kanë identifikuar 45 persona, që sipas tij, kanë marrë pjesë në sulmet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

“Deri sot janë identifikuar gjithsej 45 persona – identifikim i saktë – që kanë marrë pjesë në sulme, në dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Por, njëkohësisht kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës te shok bombat, por edhe të plumbave qofshin ata të automatikëve ose revolverëve”, tha Kurti gjatë një prononcimi për gazetarë.

Deri më tani, Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona për sulmet ndaj gazetarëve, por edhe për ngjarjet e dhunshme të 29 majit në Zveçan. Atë ditë, protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Kurti tha se as “as çereku” i të dyshuarve për sulmet në veri nuk janë arrestuar, “prandaj e kemi këtë situatë”.

Në veriun e Kosovës, së fundi janë shpeshtuar edhe sulmet me shok-bomba dhe granata dore. Shpërthimi i fundit në këtë zonë u regjistrua në orët e para të 3 korrikut në Mitrovicë të Veriut. Shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga një shok-bombë.

Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” – organizata që besohet se veprojnë në veri të Kosovës – organizata terroriste.

Shtetet e Bashkuara thanë se Qeveria e Kosovës nuk u koordinua me ta dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për këtë vendim. Kur u pyet për reagimin e Uashingtonit, Kurti tha se Kosova ka “fakte dhe dëshmi të panumërta se bëhet fjalë për organizata terroriste”.

“I interesuar për shtensionim”

Kryeministri Kurti tha se për situatën e tensionuar në veri të Kosovës është në kontakt me zyrtarët evropianë. Ai tha se dje ka zhvilluar një bisedë telefonike me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

“Jam i interesuar edhe për shtensionim të situatës dhe për normalizim. Shtensionimi nënkupton sundim të ligjit që i zmbrapsë këta kriminelë, duke i detyruar të ballafaqohen me drejtësi ose edhe të shkojnë në Serbi”, tha Kurti.

“Për normalizim na duhet menjëherë zbatimi i marrëveshjes. Mos të harrojmë ne kemi marrëveshje me Serbinë – kjo është një arritje e madhe – më 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër. Kjo marrëveshje është njëkohësisht pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian, që në mënyrë unanime e ka bërë pjesë të veten Marrëveshjen Bazike. Kjo marrëveshje duhet zbatuar. Sot nuk kemi zgjidhje, nuk kemi normalizim, jo pse s’kemi marrëveshje, por sepse nuk kemi zbatim”, shtoi ai.

Kurti iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit që palët arritën më herët gjatë këtij viti, me ndërmjetësimin e BE-së, dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Vuçiq “është bërë pishman” për Marrëveshjen drejt normalizimit

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, ajo nga BE-ja konsiderohet si dokument ligjërisht i obligueshëm.

“Është bindja ime e fuqishme që presidenti i Serbisë i ka rënë pishman që i ka thënë ‘po’ Marrëveshjes Bazike, ndonëse ka thënë ‘po’ që të mos nënshkruajë, e tash i ka rënë pishman edhe që ka thënë ‘po’. Thelbi i çështjes është që kemi një marrëveshje që nuk po zbatohet. Nervozizmi në Beograd që bëhet dhunë në veri të Kosovës nga mospajtimi me atë për të cilën tashmë kanë thënë ‘po’”, tha Kurti.

Tensionet nisën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – nën asistimin e policisë – hynë në ndërtesat komunale, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe të organizohen zgjedhje të reja në katër komunat në veri.

Remi ftohet për të dëshmuar në Hagë

Ish-Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, është ftuar për të dëshmuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Mustafa për Gazetën Express. Ai ka thënë se do të udhëtojë për në Hagë, javën e ardhshme.

“Po, e vërtetë është. Do të udhëtoj javën që vjen”, ka thënë Mustafa kur është pyetur për këtë çështje.

Sipas kalendarit në faqen e ZPS’së, gjatë javës së ardhshme vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës.

Nga 10 korriku deri më 20 korrik vazhdon pastaj gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK’së, Thaçit dhe të tjerëve.

Tomor Alizoti takohet me Albin Kurtin në Prishtinë: Shqipëria duhet të jetë me Kosovën

Deputeti i Partisë Demokratike Tomor Alizoti ka vizituar ditën e sotme në Prishtinë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

‘Ngjarjet dhe tensionet në veri të Kosovës, lufta e pandërprerë e Serbise për të mbajtur në krizë të vazhdueshme Kosovën dhe përpjektjet e qeverisë së Kosovës dhe shqiptarëve patriotë për të mos u nënshtruar ishin në qender të bisedës’, shkruan Alizoti në Facebook.

Gjithashtu Alizoti thekson se ‘Shqipëria duhet të jetë me Kosovën edhe se partnerët ndërkombëtarë janë jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe pazëvendësueshëm’.

Postimi i plotë:

Një takim shumë i përzemërt dhe i rëndësishëm me Kryeministrin e Kosovës. Ngjarjet dhe tensionet në veri të Kosovës, lufta e pandërprerë e Serbise për të mbajtur në krizë të vazhdueshme Kosovën dhe përpjektjet e qeverisë së Kosovës dhe shqiptarëve patriotë për të mos u nënshtruar ishin në qender të bisedës. Kurti po shfaq forcë, dinjitet. Shqipëria duhet të jetë me Kosovën. Partnerët ndërkombëtarë janë jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe pazëvendësueshëm. syri.net

Mitrovica e Veriut merr vendim t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka votuar pro bashkimit të kësaj komune në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Asambleistja e Vetëvendosjes, Aida Doli, tha se kjo votë tregon përkushtimin dhe mbështetjen për bashkëpunimin e fortë dhe përforcimin e qeverisjes lokale.

“Sot, në Kuvendin Komunal, në Veriun e Mitrovicës, u votua pro bashkimit të Komunës Veriore të Mitrovicës në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Kjo votë tregon përkushtimin dhe mbështetjen për bashkëpunimin e fortë dhe përforcimin e qeverisjes lokale. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i komunave janë thelbësore për të adresuar sfidat dhe për të ndërtuar një shoqëri më të bashkuar dhe më të qëndrueshme për të gjithë”, ka thënë ajo.syri.net

Hovenier: Qeveria e Kosovës po na habit me refuzimin e kërkesave të miqve të saj

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

 

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të shqetësuara me faktin se Qeveria e Kosovës nuk është duke ndërmarrë hapa konkretë për shtensionimin e situatës në veri të shtetit.

Duke folur në emisionin Rubikon të Klan Kosovës, Hovenier, tha se kryeministri kosovar, Albin Kurti, duhet të nisë zbatimin e planit trepikësh të propozuar nga Bashkimi Evropian për dalje nga situata e tensionuar në veri.

Ky plan, sipas ambasadorit Hovenier, është ajo çfarë përveç SHBA-së, kërkon BE-ja si dhe Mbretëria e Bashkuar.

“Miqtë e Kosovës, vendet dhe institucionet që më së shumti kanë luajtur rol në mbështetjen e Kosovës në këtë trajektore, të gjitha po kërkojnë nga Kosova, nga kjo Qeveri që të ndërmarrë disa veprime specifike dhe që të zbatojë planin trepikësh të BE-së”, tha Hovenier.

Plani trepikësh i kërkon Kosovës shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Hovenier tha se është e habitshme se pse nuk ka një përgjigje pozitive nga Qeveria e Kosovës.

“Jemi të habitur. Është e vështirë për neve ta kuptojmë se përse kjo kërkesë nuk merr përgjigje pozitive dhe nuk duket që do të ketë”, tha ambasadori Hovenier.

Hovenier nuk përjashtoi pasoja të tjera për Kosovën në rast se Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë.

“Është e qartë se do të ketë disa pasoja tjera nëse vazhdojmë në këtë rrugë ku Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigjet kërkesave të të gjithë miqve të saj, nga të gjitha shtetet, që kanë treguar një apo dy dekada përkushtim që të shohin Kosovën duke zëne vendin e saj në Evropë dhe në strukturat euroatlantike”, tha Hovenier.

Ai mohoi zërat kritik se SHBA-ja është duke u treguar më e ashpër me Kosovën se me Serbinë, duke thënë se edhe nga Serbia është duke u kërkuar zbatimi i planit trepikësh.

Duke komentuar dërgimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në komunat veriore, Hovenier, tha se ajo nuk është mënyra më e mirë për të mbajtur situatën në kontroll si dhe përmendi, siç tha ai, shqetësimet e shfaqura nga qytetarë të pjesës veriore për praninë e madhe të zyrtarëve policorë të njësive speciale të Kosovës.

Përkundër mospajtimeve, Hovenier, tha se SHBA-ja e konsideron kryeministrin Kurti partner porse siç tha ai, Kurti duhet të punojë drejt shtensionimit të situatës dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Hovenier tha se kryetarët aktualë duhet të ushtrojnë detyrën në vende tjera alternative deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Kjo sipas tij do t’i kontribuonte shtensionimit të situatës atje.

Hovenier tha se në zgjedhjet e ardhshme lokale në komunat veriore, të banuara me shumicës serbe, SHBA-ja pret dalje në zgjedhje të qytetarëve të këtyre katër komunaleve dhe se për këtë janë në diskutime me serbët lokalë në Kosovë si dhe me Beogradin zyrtar.

Ambasadori Hovenier tha se duhet të shihet me shqetësim letra e tetë senatorëve amerikanë që iu drejtua presidentit amerikan, Joe Biden, për të shprehur shqetësimin e tyre për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. REL

Ministri Rashiq: Serbët e Kosovës s’janë fajtorë, por të manipuluar

Nenad Rashiq, është ministri i vetëm në Qeverinë e Kosovës që ka votuar kundër shpalljes të së ashtuquajturave “Mbrojtja Civile”  dhe “Brigada e Veriut”, si organizata terroriste.

Rashiq i cili është ministër për Kthim dhe Komunitete, tha se duhet kuptuar se në vend që të gjendet një mënyrë e komunikimit dhe lidhje të mirë me qytetarë, këto komunikime çdo ditë po ndërpriten, njofton RTK.

Sipas tij, është më komplekse dhe më e vështirë të gjendet një bashkëbisedues në veri të vendit.

“Ne nuk  japim alternativa në zgjatjen/vazhdimin e proceseve normale, por shpesh po e shfaqim vetëm shkopin”, tha Rashiq në fjalën e tij.

Ai theksoi se duke i shpallur këto grupe si organizata terroriste, nuk është duke parë ndonjë mënyrë se si Qeveria do të mund të ishte e afërt dhe  t’i bind qytetarët se ajo që po bën është në të mirë të tyre.

Madje, ministri Rashiq tha se sovraniteti i Kosovës kurrë nuk ka qenë i diskutueshëm as për të dhe as për shumicën e qytetarëve në veri të vendit.

Por ai kërkoi që të kuptohet një gjë. “Në veri ekziston vakuumi që 23  apo 24 vjet. Me hapa të vegjël, por të sigurt, duhet ta shikojmë edhe një herë këtë propozim”, tha ai, para se të votohej nga kabineti qeveritar që këto dy organizata të shpallen terroriste.

Ai theksoi se pavarësisht se shumica nga ta janë të zhgënjyer e mohuar dhe madje edhe të manipuluar, “prapëseprapë janë qytetarët tanë”.

Rashiq u shpreh se ata nuk janë fajtorët kryesorë, pse nuk kanë informata të mjaftueshme.

“Dikush tjetër menaxhon me ta që një kohë të gjatë”, tha ministri Rashiq.

Paraprakisht, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti, ka përmendur veprimet e ndërmarra nga këto grupe, si sulmet ndaj KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve të tjerë, veprime të cilat i ka konsideruar kërcënim për rendin juridik e kushtetues të vendit.

Serbët në Graçanicë me shkrime provokuese: Nuk e japim djepin e Serbisë

Në Manastirin e Graçanicës po shënohet festa e “Vidovdanit”. Serbët janë mbledhur këtu që nga orët e hershme të mëngjesit, ndërkaq ceremonia ka nisur rreth orës 09:00.

Edhe kësaj radhe, në bluzat e shumë të rinjve serbë shihen mbishkrime nacionaliste si “Nuk e japim djepin e Serbisë”.

Para pjesëmarrësve, patriarku Porfirije tha se “në Graçanicë e kuptojnë më së miri se kush janë”. Derisa duke folur për disa monumente kulturore fetare të Kosovës, ai pretendoi përvetësimin e tyre.

“Nëse diku mund të kuptojmë se jemi këta që jemi, është pikërisht Kosova, është pikërisht kjo portë e Graçanicës së shenjtë, është populli i Deçanit, është Patriarkana e Pejës, është Bogorodica e Levishkës, është e Deviqi, janë vendet e shumta të shenjta me të cilat është zbukuruar toka e Kosovës. Këtu në këtë vend, ne e dimë se kush jemi, këtu e dimë se çfarë jemi, këtu kuptojmë se nga vijmë dhe cili është qëllimi ynë i ekzistencës. Këtu jemi vëllezër dhe motra në shtëpinë tonë, këtu në Kosovë. Shumë herë ia kam kujtuar vetes këtë fakt, dhe tani, duke ua thënë të gjithëve, po ju kujtoj edhe juve dhe po jua kujtoj këtë fakt dhe të vërtetë të gjithë vëllezërit dhe motrat tona kudo që janë, gjithë botës dhe të gjithë njerëzve të botës. Ne jemi këtu në shtëpinë tonë, këtu jemi në shtëpinë tonë”, ka thënë ai.

Që nga mëngjesi janë pozicionuar edhe ekipe të Policisë së Kosovës, KFOR-it, e të pranishëm janë edhe EULEX-i.

Për shkak të sigurisë, këtë vit kjo festë nuk është shënuar në Gazimestan, vend i cili ndodhet 10 kilometra larg Prishtinës. Ndërsa, tash serbët kanë filluar të shpërndahen. syri.net

Djali i Vuçiçit në Graçanicë me bluzën ‘dorëzimi nuk është opsion’

Djali i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Danilo, gjendet në Graçanicë për festën e Vidovdanit.

Danilo Vuçiç është parë duke u përshëndetur me serbët e tjerë që po marrin pjesë në manifestim.

Ai mban veshur bluzë me shkrimin “dorëzimi s’është opsion”, raporton Koha Ditore.

Serbët janë duke festuar sot Vidovdanin në Graçanicë. Disa qindra qytetarë serbë janë mbledhur te Manastiri i Graçanicës.

Djali i Vuçiçit është akuzuar nga mediat serbe dhe ndërkombëtare për lidhje me bandat pranë pushtetit të babait. syri.net

Serbët përkujtojnë Vidovdanin në Graçanicë

Nën masa të forta sigurie, ku krahas Policisë së Kosovës, janë të pranishëm edhe forcat e KFOR-it dhe EULEX-it, qytetarët serbë festuan Vidovdanin në Manastirin e Graçanicës.

Kremtimet për këtë festë kombëtare dhe fetare serbe janë mbajtur gjithmonë në Gazimestan, rreth 10 kilometra larg Prishtinës, por këtë herë dioqeza Rashkë-Prizren vendosi që ky organizim të bëhej në Manastirin e Graçanicës.

Shkak janë bërë kushtet e aktuale të sigurisë, sepse autoritetet serbe kërkuan që aktiviteti të monitorohej nga trupat e KFOR-it, duke mos pasur besim te Policia e Kosovës, e cila po ashtu është e pranishme.

Patriarku serb Porfirije mbajti një ceremoni përkujtimore në Manastirin e Graçanicës afër Prishtinës. Porfirije, të cilit në raste të tjera i ishte ndaluar hyrja në Kosove, tha se “ne nuk kemi pse të presim të jetojmë si vëllezër, por mund të jemi fqinj të mirë me njeri-tjetrin”.

Serbët thanë se duan të jetojnë në paqe me fqinjët e tyre shqiptarë që festojnë Kurban Bajramin. Festën e Vidovanit, serbët në Kosovë e përkujtuan me dy tubime proteste në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në Graçanicë.

Në deklaratën e Vidovanit, serbët e Kosovës shprehen se janë duke u përballur me dhunë të paprecedentë nga qeveria Kurti. Ata theksojnë se kanë pritur dhjetë vjet për bashkimin e komunave serbe.

Drejtori i Zyrës për Kosovën Petar Petkoviç, tha për RTS se është e qartë se Kurti nuk dëshiron paqe, por konflikte dhe në këtë mënyrë e shtyn popullin serb në konflikt me KFOR-in dhe bashkësinë ndërkombëtare. Sipas Petkoviç bëhet fjalë për qëllimin e Albin Kurtit për të zbatuar ideologjinë e Shqipërisë së Madhe, që nënkupton përfshirjen në të, të Kosovës.  syri.net

Serbët nxjerrin “Deklaratën e Vidovdanit”

Radio Evropa e Lirë

Qytetarë serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku u paraqit një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.

Në deklaratën, që e lexuan zyrtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë – Lista Serbe – thuhet se komuniteti serb në Kosovë është “i ekspozuar ndaj dhunës”.

Si shembull i kësaj përmendet, mes tjerash, arrestimi i disa qytetarëve serbë, të cilët autoritetet në Kosovë i akuzojnë për “shkelje të rendit kushtetues”, si dhe për sulme ndaj misionit të NATO-s, KFOR, policisë dhe gazetarëve.

Disa nga të arrestuarit janë: Millun Millenkoviq – Llune, Dushan Obrenoviq, Dallibor Spasiq, Urosh Vukashinoviq dhe Nemanja Vllashkoviq.

Në “Deklaratën e Vidovdanit” thuhet po ashtu se, nëse Prishtina vazhdon me aktivitetet dhe arrestimet e saj, serbët në Kosovë do të detyrohen t’u përgjigjen “të gjithë atyre që na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes”.

“Ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për të qëndruar dhe mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, thuhet në dokument.

Në tubimin në Graçanicë foli kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiq, i cili i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “t’i mbrojë serbët nga autoritetet e Kosovës”, por nuk specifikoi se për çfarë rreziku potencial bëhet fjalë.

“Ne nuk kemi problem me popullin shqiptar, ne kemi problem me një njeri, kemi problem me [kryeministren e Kosovës, Albin] Kurti dhe regjimin e tij”, tha Jevtiq.

Dragisha Milloviq, ish-kryetar i komunës së Zveçanit, foli në tubimin në Mitrovicë të Veriut, ku tha se serbët e Kosovës jetojnë në “kushte dramatikisht të vështira”, por se
ata duan që kriza në veri të zgjidhet në mënyrë paqësore.

“Fakti që policët e Kosovës janë liruar, është shenjë se Serbia dëshiron ta zgjidhë këtë krizë në mënyrë paqësore. Është një shenjë dhe një gjest i mirë që shkon në drejtim të shtensionimit. Është një gjest i vullnetit të mirë. Ashtu siç u liruan ata për t’u mbrojtur nga liria, të njëjtën gjë e duam edhe për vëllezërit tanë të arrestuar, që edhe ata të mbrohen nga liria”, tha Milloviq.

Tre policë të Kosovës, të cilët u arrestuan nga forcat serbe më 14 qershor, u liruan më 26 qershor për t’u mbrojtur në liri.

Në “Deklaratën e Vidovdanit” përmendet edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd dhe i cili duhet t’u sigurojë autonomi më të madhe serbëve në Kosovë.

“Ka ardhur koha që të zbardhet e vërteta dhe të thuhet qartë në këtë Vidovdan: a do të kemi Asociacion? Ndryshe, e dimë çfarë të bëjmë”, thekson, mes tjerash, deklarata.

Qytetarët serbë me pankarta në duar janë mbledhur në veri të Mitrovicës.

Qytetarët serbë me pankarta në duar janë mbledhur në veri të Mitrovicës.

Deklarata vjen në kohën e tensioneve të rritura në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe.

Tash e një muaj gati, serbët atje protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë të komunave dhe kërkojnë tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës.

Protestat kulmuan në dhunë më 29 maj, në Zveçan, ku pati dhjetëra ushtarë të KFOR-it të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues serbë.

Serbët i bojkotuan zgjedhjet e prillit, prej të cilave dolën kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Komuniteti ndërkombëtar, si hap për shtensionimin e situatës, kërkon nga Prishtina që të organizojë zgjedhje të reja, në të cilat do të merrnin pjesë edhe serbët.

Pse Vidovdani është i rëndësishëm për serbët?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi më herët se në Vidovdan, serbët do të “ndërmarrin hapa aktivë në rrugën drejt lirisë, në përputhje me normat juridike ndërkombëtare”.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan – rreth 10 kilometra larg Prishtinës.

Në dy vjetët e fundit atje kishte edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

Vidovdani është gjithashtu një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.

Këtë vit, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe njoftoi se më 28 qershor – për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë – përkujtimet për Vidovdanin do të mbahen në Manastirin e Graçanicës, dhe jo në Gazimestan.

Nga ky institucion thanë se nuk i besojnë Policisë së Kosovës dhe se do të kërkojnë që grumbullimi i serbëve të sigurohet nga misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Qytetarët serbë të mbledhur në Graçanicë.

Qytetarët serbë të mbledhur në Graçanicë.

Gazimestani dhe fjalimi i Millosheviqit

Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili, më 28 qershor 1989, nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”.

Ai fjalim i Millosheviqit u pa nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

Në të njëjtën ditë në vitin 2001, Millosheviq u ekstradua në Tribunalin e Hagës, i cili e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006, para gjykimit përfundimtar.

Sulmohet me granatë dore ndërtesa komunale në Mitrovicë të Veriut

Një zyrtar i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se në orët e vona të së hënës, ndërtesa e komunës në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me mjete shpërthyese.

Lënda shpërthyese dyshohet të jetë granatë dore, e cila ka shkaktuar dëme materiale në veturat zyrtare.

Policia i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti “kryerja e veprës terroriste”.

Ditë më parë është raportuar edhe për sulme me shok-bomba afër stacioneve policore në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, komuna në veri të Kosovës.

Tensionet atje janë rritur prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Popullata serbe, e cila i ka bojkotuar zgjedhjet, ka kundërshtuar veprimin e kryetarëve dhe ka mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbisë që t’i ulin urgjentisht tensionet dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja. rel

Gazetari serb kërkon ndihmë nga Policia e Kosovës, raporton se u kërcënua te Liqeni i Ujmanit

Gazetarët në Kosovë janë sulmuar verbalisht e fizikisht prej kur kanë nisur tensionet në veri të vendit, në muajin maj. Disa persona të dyshuar kanë përfunduar në prangat e Policisë dhe po hetohen për këto sulme ndaj ekipeve të mediave në Kosovë.

Një rast i tillë është denoncuar të ketë ndodhur edhe dje, por këtë herë rasti është denoncuar nga një gazetar serb, i cili ka kërkuar ndihmë, pasi ka raportuar se është kërcënuar te Liqeni i Ujmanit.

 Viktima ka deklaruar se një person e ka sulmuar derisa po filmonte, e më pas ia ka marrë edhe telefonin, duke e kërcënuar se “nuk ki me ekzistu nga ky moment”.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku është kapur personi i dyshuar, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për t’u intervistuar lidhur me veprën për të cilën dyshohet.
Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Kanosje”. syri.net

Kërcënohet me vdekje politikani serb në veri, tërhiqet nga politika dhe ‘zhduket’

Lideri i “Lëvizjes për mbrojtjen e Kosovës”, Nebojsha Joviq është tërhequr nga politika pasi është kërcënuar me vdekje.

Ai së bashku me familjen e tij ka disa ditë që nuk janë parë më në vendin e tij të lindjes, në veri të Mitrovicës, ndërsa për vendndodhjen e tyre nuk di askush.

Burime të KosovaPress-it bënë të ditur se më 14 qershor në orët e vona të natës, 6 persona të armatosur dhe me maska, kanë hyrë me forcë në banesën e Nebojsha Joviq-it që ndodhet në rrugën “Knjaz Milos” në veri të Mitrovicës, që dyshohet se synim kanë pasur vrasjen e tij, mirëpo përveç bashkëshortes dhe dy fëmijëve, ai nuk është gjetur aty.

Sipas këtyre burimeve, atij edhe në të kaluarën i është tërhequr vërejtja disa herë që ta ndërpresë aktivitetin e tij politik, por që ai nuk është ndalur.

“Ky tipi nga Kopaoniku (Millan Radoicic v. j.) i ka dërguar njerëzit e tij nga Serbia për ta likuiduar Joviq-in, por nuk e kanë gjetur në banesë. Bashkëshorten dhe dy fëmijët ia kanë maltretuar dhe ju kanë thënë se sapo ta gjejnë do t’ia mbyllin gojën përgjithmonë. Ai dhe familja e tij tashmë janë larguar dhe e kanë braktisur Kosovën. Askush nuk e di se ku ndodhen’, bënë të ditur burime të sigurta të KosovaPress-it.

KosovaPress-i ka provuar për disa ditë me radhë të kontaktojë me Nebojsha Joviq, por pa sukses, ndërsa telefoni i tij vazhdimisht nuk ka qasje.

Madje, ai nuk ka qasje as në rrjetet sociale, në të cilat ka qenë shumë aktiv, por që me gjasë i ka mbyllur të gjitha.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Veton Elshani bëri të ditur se policia nuk është në dijeni për rastin.

“Policia nuk ka informacion dhe askush nga qytetarët deri tash nuk ka raportuar një rast të tillë në polici”, u shpreh Elshani për KosovaPress.

Ndryshe, Nebojsha Joviq ka qenë ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të politikanit të vrarë serb, Oliver Ivanoviq, ndërsa kohët e fundit në paraqitjet e tij të shumta publike, ka deklaruar se “Lista serbe ka humbur kredibilitetin dhe se nuk mund ta përfaqësojë më popullin serb të Kosovës”.

Po ashtu, ai ka udhëhequr protestën e 13 qershorit në veri të Mitrovicës kundër arrestimit të Millun Milenkoviq – “Llune” nga ana e Policisë së Kosovës, me ç’rast ka brohoritur “tradhti”, “tradhti”, si dhe fjalë të rënda në adresë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Lirohen tre policët e Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe

Gjykata në Kralevë ka marrë vendim për lirimin e tre policëve të Kosovës që ishin rrëmbyer nga forcat serbe me 14 qershor.

Telegrafi mëson vendimi për lirim është marrë para pak minutash.

Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, ishin arrestuar më 14 qershor.

Policia ndërsa kishte konfirmuar arrestimin e tyre nga forcat serbe kishte thënë se “njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

Arrestimi i tre policëve ka nxitur reagime të shumta në vend, ku u kërkua lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte.

Lirimin e tre policëve e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.bw

Përmbytjet masive në Pejë, humb jetën një i mitur dhe nëna e tij

Policia e Kosovës ka njoftuar se është shënuar viktima e dytë si pasojë e vërshimeve në qytetin e Pejës. Bëhet fjalë për një të mitur dhe nënën e tij.

Përmes një komunikate për media, Policia njofton se pas kërkimeve është gjetur pa shenja jete edhe nëna e fëmijës 5-vjeçar që humbi jetën në lagjen ‘Asllan Qeshme’.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Pejё, njofton se me datё24.06.2023 si pasojё e vërshimeve nё qytetin e Pejёs, nё lagjen “Asllan qeshme” njё fёmijё ka humbur jetën ndërsa nëna e tij ёshtё e zhdukur. Pas kërkimeve nga njësitet Policore rreth orё 01:20, tё datës 25.06.2023, ёshtё gjetur personi i zhdukur femër , vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në komunikatë.

Drejtori mjekësor në Spitalin e Pejës, Besnik Ibraj, ka konfirmuar për median lokale “Peja në Fokus” se fëmija që u gjet i vdekur është i moshës rreth 5-vjeçare.

“Konfirmojmë se një fëmijë rreth moshës 5-vjecare ka vdekur. Dy të lënduar janë në intensivë”, ka thënë ai.

Lidhur me rastin, Telegrafi ka kontaktuar me zëdhënësin e Komunës së Pejës, Faik Zekaj, por i njëjti ka deklaruar se nuk kanë informacion zyrtar.

“Nuk kemi informacion zyrtar, por policia dhe drejtori i Emergjencave janë duke shkuar në vendin e ngjarjes”, ka thënë shkurt Zekaj.

Telegrafi ka provuar të kontaktojë edhe me Policinë e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Sveçla: Nuk mund të zmbrapsemi para kriminelëve

Radio Evropa e Lirë

 

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq se, përmes, siç ka thënë ai, grupeve kriminale, po tenton ta destabilizojë Kosovën.

Ai ka thënë se do t’i kërkojë Qeverisë së Kosovës që organizatat, Mbrojtja Civile dhe Severna Brigada, të shpallen organizata terroriste, në mënyrë që autoritetet e Kosovës t’i luftojnë ato në mënyrë më efikase.

Ai ka thënë se pjesëtarë të komunitetit serb, të arrestuar javëve të fundit në Kosovë, janë “kriminelë që në të kaluarën janë toleruar dhe amnistuar”.

Në mesin e të arrestuarve nga radhët e komunitetit serb janë: Dushan Obrenoviq, Radosh Petroviq, Millun Millenkoviq-Llune, Dalibor Spasiq, Urosh Vukasinoviq, Nemanja Vlashkoviq, Millan Bozhoviq dhe Sllagjan Trajkoviq.

Sipas autoriteteve të Kosovës, ata janë arrestuar për veprime kundër rendit kushtetues, si dhe për sulme ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe gazetarëve, gjatë raportimeve në veri të vendit.

Në një konferencë për media me gazetarë nga Mitrovica e Jugut, Sveçla ka thënë se Kosova nuk do të zmbrapset ndaj kriminelëve.

“Sundimi i ligjit për ne është prioritet. Ne po veprojmë sipas ligjit. Të gjitha këto veprime policore, arrestime që po bëhen, dëshmojnë se ne nuk mund të zmbrapsemi mbrapa kriminelëve, dhe qëndrojmë të angazhuar për zbardhjen e të gjitha sulmeve dhe ruajtjen e të gjithë qytetarëve, pa dallim”.

Duke e komentuar operacionin e Kosovës në veri më 23 qershor, ku është konfiskuar një makinë me targa të Beogradit, me armatim dhe pajisje shpërthyese, Sveçla ka thënë Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë e kanë parandaluar një sulm terrorist.

Më 24 qershor, në një tjetër konferencë për media, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se autoritetet e Kosovës i kanë “mbjellë” armët e gjetura në veri të Kosovës, dhe se ato janë konfiskuar në të kaluarën nga shqiptarët e serbët.

Por Sveçla ka thënë se disa prej armëve të gjetura janë të vitit 2021, dhe jo “që kanë mbetur nga lufta e fundit në Kosovë”.

Sveçla i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë, siç ka thënë ai, sjelljen terroriste të Serbisë ndaj Kosovës.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit.

Atë ditë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale, me ndihmën e njësiteve të Policisë së Kosovës.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës dhe të Serbisë që të marrin urgjentisht masa për uljen e tensioneve.

Ministri i Brendshëm i Kosovës: Parandaluam një sulm terrorist

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svelça ka bërë publike pamje nga një aksion i policisë që ka sekuestruar një sasi të madhe armatimesh.

Reagimi Xhelal Svelçës:

Policia e Kosovës parandalon sulm terrorist.

Falë angazhimit intenziv të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatave/inteligjencës së pranuar, sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.

Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë.

Policia e Kosovës bashkë me të gjitha organet tjera të sigurisë vazhdojnë angazhimet e tyre në parandalimit e çdo akti të mundshëm që synon cenimin e sigurisë së vendit tonë.

Ky rast konfirmon informacionet e pranuara nga Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake. syri.net

Ngrihet aktakuzë për krime lufte ndaj një personi

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Prishtinë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.GJ, i nacionalitetit serb, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Siç thuhet në njoftimin e kuaj prokurorie, M.Gj. është nga fshati Vitomiricë afër Pejës, dhe pretendohet se më 7 maj 1999, ai dhe pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, fillimisht rrethuan fshatin Ozdrim në komunën e Pejës, dhe më pas nisën një ofensivë ushtarake – policore, “duke shtënë me armë në drejtim të popullsisë civile me ç’rast u vranë 19 civilë të nacionalitetit shqiptarë”.

“Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Sipas njoftimit, kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake, deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.

M. Gj, u arrestua në fund të qershorit të vitit të kaluar.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) ishte përgjegjës për hetimet e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore. REL

Arrestohet edhe një i dyshuar për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan

Foto nga përleshjet në Zveçan më 29 maj 2023.

Radio Evropa e Lirë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar serb nga Mitrovica e Veriut për përfshirje në sulmin e 29 majit në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor mbi dyshimet se “i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj”.

Atë ditë, të lënduar kishin mbetur rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë tentimeve për t’i shpërndarë protestuesit e grumbulluar pranë objektit komunal në Zveçan.

Më 31 maj, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte bërë të ditur se është vendosur masa e paraburgimit për një muaj për dy persona të arrestuar gjatë përleshjeve në Zveçan para dy ditëve.

Protestat në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok në veri të Kosovë – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Ndërsa, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.

Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si rrëmbim. Ndaj tyre, autoritetet serbe kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Për ta qetësuar situatën në veri, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ftoi në takim më 22 qershor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata u tha se janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Sulmi ndaj dy shqiptarëve në veri- Policia: U përfshinë 15-20 persona

Dy kosovarë janë sulmuar mbrëmë në rrugën “Mbreti Pjetër” në Mitrovicën e Veriut.

Sipas policisë, ata dyshohet se janë sulmuar nga rreth 20 persona.

Një nga viktimat është dërguar për trajtim mjekësor.

“Dy viktimat meshkuj shqiptarë/kosovarë kanë raportuar se janë sulmuar fizikisht nga 15-20 persona të panjohur, ku në mesin e tyre disa kishin qenë me maska. Si pasojë e sulmit njëri prej viktimave ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftimin e policisë.

Institucionet nuk kanë informacione se nga po hyjnë shok-bombat në veri

Pamje nga Zveçani më 26 maj 2023.

Luljeta Krasniqi-Veseli

Në Policinë e Kosovës nuk dinë se prej nga po hyjnë mjetet shpërthyese, me të cilat dyshohet se po sulmohen kryesisht stacionet e saj, në komunat në veri.

Javëve të fundit, në pjesën veriore të Kosovës janë regjistruar disa incidente, ku janë përdorur ato që mendohet të kenë qenë shok-bomba.

Mbrëmjen e 22 qershorit, në Mitrovicën e Veriut pati dy shpërthime, ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka sugjeruar se ato mund të jenë shkaktuar nga lloji i njëjtë i armës.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë informacione për prejardhjen e këtyre mjeteve shpërthyese në njoftimet zyrtare, në të cilat thuhet se rastet janë duke u hetuar.

 

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se këto mjete shpërthyese, që nuk konsiderohen shkatërruese, por që prodhojnë një zhurmë tejet të madhe që çorienton shqisat, futen ilegalisht në Kosovë, përmes shtigjeve të ndryshme malore.

“Padyshim që ato mjete janë sjellë në Kosovë në mënyrë ilegale, nëpërmjet rrugëve alternative, që gjenden në veri. Është fare e lehtë që këto gjëra të sillen, meqenëse është i vështirë kontrollimi i terrenit në atë pjesë”, është shprehur ai.

“Përveç kontrabandës së vazhdueshme që ekziston, individë dhe grupe të caktuara të krimit të organizuar, në bashkëpunim me forcat serbe, sjellin edhe këto pajisje, të cilat po i shqetësojnë banorët dhe në veçanti organet e sigurisë”, ka deklaruar Qalaj për REL-in.

Në veri të Kosovës, ka thënë Qalaj, ekzistojnë probleme me rendin dhe me ligjin.

Në veçanti, me situatën e krijuar aktualisht, sipas Qalajt, është bërë edhe më i vështirë kontrolli i vijës kufitare me Serbinë.

Pjesa në veri të Kosovës, që kufizohet me Serbinë, konsiderohet si një nga zonat më të prekura nga kontrabanda.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Twitter, më 7 qershor, ka thënë se në komunat veriore më 29 maj janë përdorur granata dore dhe shok-bomba, të prodhuara dhe të sjella nga Serbia.

Ndërkaq, për dy shpërthime me granata dore, që kishin ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar, në Mitrovicë të Veriut, Policia e Kosovës kishte njoftuar se ishin përdorur mjete plasëse të prodhimit jugosllav.

Ekspertët e sigurisë e konsiderojnë rrezik të madh për Kosovën hyrjen e këtyre mjeteve shpërthyese në mënyrë të jashtëligjshme në veriun e vendit, si dhe numrin e madh të armëve ilegale.

Profesori i Shkencave të Sigurisë në Kosovë, Avni Islami, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se për shkak të këtyre armëve dhe mjeteve tjera shpërthyese që janë në komunat në veri, siguria në atë pjesë të Kosovës është e brishtë, ndërsa dhuna mund të shpërthejë kurdo.

“Tendenca e Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në veriun e Kosovës, është duke hasur në rezistencë agresive nga grupet kriminale atje, pikërisht duke përdorur armë të ndryshme, të cilat futen ilegalisht”, është shprehur Islami.

Hedhja e shok-bombave dhe përdorimi i armëve në veri të vendit tregon se grupet kriminale kanë një organizim të jashtëzakonshëm me shtetin e Serbisë, ka vlerësuar ai.

“Ato armë janë duke u përdorur nga njësi të specializuara të Serbisë, së bashku me grupet kriminale, dhe e gjithë kjo bën që shtrirja e rendit dhe ligjit në veriun e Kosovës të jetë e vështirë”, ka thënë Islami për REL-in.

Armët ilegale, problem i theksuar

Numri i armëve të zjarrit që ilegalisht janë në duart e qytetarëve është problem i theksuar në Kosovë.

Një hulumtim i vitit 2015, i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë, tregon se qytetarët kanë në posedim rreth 250 mijë armë ilegale.

Sipas Policisë së Kosovës, në vitin 2022 janë konfiskuar 1.473 armë zjarri ilegale, të llojeve të ndryshme, me rreth 30 mijë municione të kalibrave të ndryshëm.

Dënimi për armëmbajtje pa leje përcaktohet sipas Kodit Penal të Kosovës, i cili parasheh gjobë deri në 7.500 euro, ose dënim me burgim deri në pesë vjet për armëmbajtje pa leje.

Aty parashihet edhe dënim prej dy deri në dhjetë vjet burgim, për posedim ilegal të katër ose më shumë armëve, ose të më shumë se 400 fishekëve.

Sulmet e vazhdueshme me shok-bomba po ndodhin në kohën kur situata është e tensionuar në veriun e Kosovës, në komunat e banuara me shumicë serbe.

Tensionet atje nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave veriore, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Ato kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët.

Më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviqin, i cili dyshohet se ka qenë njëri prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan, më 29 maj.

Një ditë më vonë, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës përfunduan nën prangat e xhandarmërisë serbe. Autoritetet në Prishtinë akuzuan ato në Beograd për, siç pohuan, rrëmbimin e policëve në territorin e Kosovës, ndërsa Serbia tha se ata janë arrestuar brenda territorit serb.

Osmani takohet me Haradinajn

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është takuar me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinajn, me të cilin ka këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend.

Siç ka njoftuar Zyra e Presidentes së Kosovës, presidentja Osmani ka ftuar sot në takim kryetarët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, “në vazhdën e takimeve për koordinim ndërinstitucional”.

Ftesa e kryetarëve të partive nga presidentja Osmani është bërë pas kërkesës së liderit të AAK-së.

“Presidentja ka ftuar liderët opozitarë fillimisht në takime të ndara, meqë disa nga krerët e institucioneve këto ditë nuk ishin në Kosovë. Ajo ndërkaq ka paralajmëruar edhe ftesën për një takim të përbashkët të të gjithë liderëve në një moment kur të gjithë të jenë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Kryetari i AAK-së Haradinaj, pas takimit me Osmanin, ka theksuar se me presidenten kanë trajtuar “të gjitha shqetësimet që i kemi”.

Haradinaj theksoi se i ka shprehur presidentes Osmani shqetësimet lidhur me situatën e krijuar pas tensioneve në veri të vendit, si dhe “shqetësimin për humbjen e besimit të partnerëve tanë dhe vështirësitë që do t’i kemi nëse nuk dalim nga kjo gjendje”.

“I kërkova presidentes që të veprojë në përputhje me mandatin e vet, me kompetencat që ka, që ta kthehet besimi me aleatët tonë, që të ndalen ndëshkimet, që të ndodhë një de-përshkallëzim i situatës në veri dhe t’i kthehemi të arriturave të dialogut, marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit”, tha Haradinaj.

Liderët e partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, më herët kanë deklaruar se kanë pranuar ftesat nga presidentja Osmani, por ata kanë refuzuar pjesëmarrjen në takim.

Kryetari i PDK-së në letrën dërguar presidentes Osmani ka shprehur refuzimin për pjesëmarrje në takim, duke i thënë presidentes se është ndërruar në “mbështetëse dhe certifikuese të veprimeve aventureske dhe të papërgjegjshme të kryeministrit (Albin Kurti)”.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdigjiku i ka shkruar presidentes Osmani se ajo çfarë kërkon dhe pret partia e tij, në këtë kohë, është “pozicionimi i qartë e kritik ndaj popullizmit të kryeministrit (Albin Kurti)”.

Presidentja Osmani ka shprehur keqardhje që partitë e tjera opozitare “kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Republikës së Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Sipas presidentes Osmani, “kontributi i secilit lider dhe subjekti politik është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë nacionale me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar”. rel

Lista Serbe: E informuam Grenellin për qëndrimet dhe kërkesat tona

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Richard Grenell

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka shprehur sërish kërkesat, plotësimi i të cilave do të mundësonte që partia më e madhe e serbëve të Kosovës të marrë pjesë në zgjedhje, të cilat bashkësia ndërkombëtare i sheh si një rrugëdalje nga kriza aktuale në veri.

Këto kërkesa ai i ka bërë në një konferencë për media në Mitrovicë të Veriut, pas takimit me ish-të dërguarin special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Rakiq tha se “përfaqësuesit (politik) dhe populli serb në veri” kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës, amnistinë e të gjithë serbëve të arrestuar që morën pjesë në barrikada apo protesta dhe dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të vendit.

“Dhe sigurisht, kushti i të gjitha kushteve është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Rakiq në konferencën e përbashkët me Richard Grenell.

Takimin me Grenell, Lista Serbe e zhvilloi në veri të Kosovës, ku tensionet janë rritur javët e fundit. Serbët bojkotuan zgjedhjet lokale të 23 prillit dhe nuk i pranojnë rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

Grenell tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të bisedojë me përfaqësuesit politikë të serbëve dhe se “de-përshkallëzimi nuk ndodh në Bruksel”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, kanë qëndruar të enjten në Bruksel, me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç është thënë, bisedimet do të kenë në fokus “menaxhimin e krizës”.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të vijë dhe të dëgjojë këta njerëz. Dëgjoj shumë shqetësime këtu sot dhe besoj se do të gjendej rruga, sikur komuniteti ndërkombëtar të vinte (për të biseduar)”, tha Grenell.

Ai ishte ambasador i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë administratës së Donald Trump, i cili e emëroi në atë pozitë.

Rreth një vit pasi Joe Biden u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara, me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë filloi të merret Gabriel Escobar, i cili u emërua zëvendës ndihmës sekretar në Byronë për çështjet evropiane dhe euroaziatike të Departamentit të Shtetit.

Grenell tha se për të ishte “zhgënjyese që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar në tre vitet e fundit”.

“Ne po ecnim në një rrugë të mirë, drejt normalizimit ekonomik dhe unë mendoj se këtu e duan paqen, punësim të mirë”, tha ai.

Gjatë mandatit të Grenell, Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizimin të marrëdhënieve ekonomike.

Në shkurt të këtij viti, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, e ka dekoruar Grenellin me rastin e Ditës së shtetësisë. Në fjalimin e tij, Vuçiq ka deklaruar se Grenell ishte “nga të paktët që ka tentuar të ketë qasje të balancuar dhe të dëgjojë Serbinë”. REL

Osmani dhe Hovenier biseduan për uljen e tensioneve në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, njofton Zyra e Presidentes së Kosovës.

Në njoftim thuhet se Osmani dhe Hovenier kanë biseduar për zhvillimet e fundit, “me fokus të veçantë në zhvillimet në fushën e sigurisë në veri të vendit”.

“Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e lirimit të menjëhershëm dhe pa kushte të policëve të Kosovës të cilët u kidnapuan nga Serbia brenda territorit të Kosovës. Ajo po ashtu shprehi mirënjohje për qëndrimin e qartë të SHBA-ve sa i përket lirimit të policëve”, thuhet në njoftim.

Tre policë kufitarë të Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor. Autoritetet serbe thonë se ata janë arrestuar thellë në territorin e Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e Kosovës theksojnë se tre policët kosovarë janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.

Në takimin e presidentes Osmani dhe ambasadorit Hovenier, siç njoftohet nga Zyra e Presidentes së Kosovës, është diskutuar edhe “për hapat e mëtejmë për shtensionimin e situatës dhe nevojën e bashkërendimit me partnerët” perëndimorë.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, kur serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Përleshja rezultoi me dhjetëra të lënduar nga të dyja palët.

Të enjten, në Bruksel, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell, është takuar ndaras me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar për menaxhimin e krizave.

Siç ka njoftuar më herët BE-ja, “diskutimet do të fokusohen në gjetjen e rrugëdaljes për uljen e tensioneve të tashme, në mënyrë që [palët] të kthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, në veçanti të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”.

Edhe Abdixhiku i përgjigjet negativisht ftesës së Presidentes Osmani

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur negativisht ftesës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për takim , pasi një gjë të tillë e kishte kërkuar kreu i AAK, Ramush Haradinaj.

Abdixhiku ka thënë se LDK ka përcjellë me shqetësim zhvillimet politike në vend dhe specifikisht atë që e ka quajtur qasje të papërgjegjshme të kryeministrit Albin Kurti në raport me SHAB, BE dhe NATO.

Në letrën që kreu i LDK ia ka kthyer presidentes, thuhet se qasja konfliktuoze e kryeministrit Kurti dhe veprime e pa koordinuara kanë rrezikuar sovranitetin e Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me shumë shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend; në veçanti qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO. Qasja e tij konfliktuoze, veprimet e pakoordinuara dhe papërgjegjësia diplomatike e strategjike, kanë rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës. Sipas pikëpamjeve tona, interesat e vendit tonë, përfshirë dhe ato të ruajtjes e të shtrirjes së sovranitetit të plotë në gjithë territorin e Kosovës, kanë gjasë vetëm nëse në krah kemi aleatët tanë, që popullin tonë e ndihmuan në rrugën e lirisë, pavarësinë dhe të demokracisë”, thuhet në letër. syri.net

Memli Krasniqi refuzon ftesën e presidentes Osmani për takim

Memli Krasniqi ka thënë se arsyeja e refuzimit të ftesës është se “Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar” pas ngjarjeve të fundit në veri dhe marrëdhëniet me partnerët.

“Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët. Prandaj, duke u nisur nga këto, por edhe arsye të tjera që i kam shtjelluar në letrën e përgjigjes sime, e kam parë të udhës që ta refuzoj pjesëmarrjen në këtë takim”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka publikuar edhe letrën që ia ka dërguar Presidentes. syri.net

“1 milion euro dhe dy shtëpi në Beograd”, Kurti e zbulon: Një nga kandidatët serb u tërhoq nga gara në veri sepse u ble nga Serbia

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar në lidhje me ngjarjet e fundit dhe tensionet me Beogradin.

Në një postim në rrjetet sociale, Kurti u shpreh se në veri duhet të mbahen zgjedhje të lira e për këtë duhet një fushatë parazgjedhore e lirë.

Kurti ka thënë se për të realizuar këtë, nevojitet sundimi i ligjit dhe një mjedis ku nuk ka frikësim dhe kriminelë.

Kreu i qeverisë së Kosovës shtoi se ka dëgjuar që Aleksandër Jabllanoviç, një nga personat që do të kandidonte për postin e kryetarit të një nga katër komunave në veri të vendit, është tërhequr nga gara duke përfituar nga ky akt një milion euro dhe dy banesa në Beograd.

 

Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
E di që situata nuk është aspak e lehtë dhe të gjithë jemi të shqetësuar nga ngjarje të mundshme të paparashikueshme në të ardhmen e afërt. Po ashtu e di se, gjatë tre javëve të fundit, kemi mbërritur edhe te lajmet ndërkombëtare, duke u paraqitur në një dritë jo dhe aq të mirë.
Por le të fillojmë me radhë. Më vjen keq që na është dashur të mbajmë zgjedhje në katër komuna në veri me një pjesëmarrje aq të ulët. Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, ne e shtymë ditën e zgjedhjeve për katër muaj, duke shpresuar se Lista Serbe do të merr pjesë. Bashkësia ndërkombëtare na premtoi se nëse ne pranojmë Aneksin e Ohrit, ata do të sigurojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje. Më 17 mars të këtij viti e kemi zgjatur edhe për pesë ditë afatin e regjistrimit të partive. E gjithë kjo për asgjë. Kam menduar se të paktën Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai doli nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka fituar një milion euro dhe dy banesa në Beograd. Ndoshta nuk është e saktë, por gjithsesi duhet të jetë presion tepër i madh apo ofertë tepër luksoze, që e ka shtyrë Jabllanoviqin të thotë se ai nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë.
Përfaqësuesit e Listës Serbe, sikur edhe Jabllanoviqi, kanë thënë gjithfarë gjërash për Kosovën dhe për mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranoj si kryetarë të ardhshëm komunash. Fatkeqësisht, nuk kam as fuqi e as vullnet që t’i detyroj të kandidojnë në zgjedhje. Tani, kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një i ri. Për këtë na duhen zgjedhje të parakohshme dhe një fushatë parazgjedhore e hapur, e lirë, në 4 komunat në veri. Pa një fushatë të ndershme dhe demokratike, nuk ka zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Prandaj në radhë të parë nevojitet sundimi i ligjit, pra një mjedis ku nuk ka frikësim dhe kriminelë. Këtë duam dhe duhemi ta vendosim së bashku. Me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale.
Në anën tjetër, na janë të nevojshme takimet në Bruksel për zbatimin urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë nga Brukseli, pjesë përbërëse e së cilës është Aneksi i Ohrit. Tani e kam të qartë se presidenti i Serbisë i ka thënë PO marrëveshjes për të mos e nënshkruar, e tani ankohet dhe pendohet që ka thënë PO, që e ka pranuar atë marrëveshje, që do të thotë njohje de facto të Republikës së Kosovës.
Siç duket, pushteti në Beograd është në kërkim të makinës së kohës. Ndonjëherë duan të kthehen në kohën para qershorit 1999 kur ne u çliruam, ndonjëherë para shkurtit 2008 kur shpallëm pavarësinë, ndonjëherë para shkurtit të këtij viti kur presidenti i Serbisë Vuçiq pranoi Marrëveshjen e Brukselit dhe, siç e keni dëgjuar edhe ju vetë, ndonjëherë duan të kthehen në makinën e kohës para dhjetorit 2001 kur unë kam dalë nga burgjet serbe.
Sulmi dhe kidnapimi i policëve, gjuajtja ndaj ushtarëve të KFOR-it, sulmet e dhunshme ndaj gazetarëve nuk do të tolerohen. Një shoqëri demokratike dhe liberale nuk duron dot kulturën e të të dhunshmëve. Aleksandar Vuçiq sot përfaqëson gatishmërinë e Serbisë për të humbur edhe një luftë. Në të njëjtën kohë, ai është garancia juaj që vitet ’90 nuk do të bëhen të kaluara. Unë nuk jam për luftë. Unë jam kundër luftës. Unë jam socialdemokrat. Kam vuajtur gjatë luftës, kam qenë i burgosur lufte për më shumë se dy vjet e gjysmë. Ai duket se ka vetëm kujtime të mira nga lufta dhe ndjenja të tilla, sepse edhe atëherë ishte në pushtet si ministër i Millosheviqit, dhe ndryshe nga sot, ai kishte pushtet madje pa detyrime, sepse të gjithë përgjegjësinë e mbante Millosheviqi.
Për më shumë se 10 vjet, këta të ashtuquajtur progresistë e kanë kriminalizuar politikën në Serbi, e tani në veri të Kosovës po tentojnë të politizojnë kriminelët. Nga ana tjetër, ne kemi mbyllur 16 rrugë ilegale në veri, kemi shkatërruar 83 grupe kriminale, kemi konfiskuar rreth 2 tonë narkotikë, kemi shkatërruar 14 laboratorë droge, 8 prej tyre në veri dhe 5 sosh për prodhimin e kriptovalutave.
Të dashur qytetarë,
Kosova është vendi me shkallën më të lartë të demokracisë në rajonin tonë. Sipas institucioneve dhe organizatave prestigjioze ndërkombëtare, si Transparency International, World Justice Project, World Press Freedom Index “Reporterët pa Kufij”, Freedom House dhe V-Dem, Kosova është në vendin e pare në Ballkanin Perëndimor për sa i përket luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit, lirisë së medias, lirive politike dhe të drejtave civile, si dhe zgjedhjeve demokratike. Progresi ynë demokratik shoqërohet me zhvillim ekonomik.
Gjatë këtyre viteve të fundit kemi pasur një rritje mesatare prej 7% të bruto prodhimit vendor, eksportet dhe investimet e huaja janë dyfishuar, buxheti vjetor këtë vit është 17% më i lartë se në vitin 2022, e të hyrat tatimore janë rritur për dy të tretat pa ndryshuar politikën fiskale, sepse njerëzit paguajnë më shumë tatim kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri dhe po ashtu kur janë optimistë shpenzojnë më shumë se sa kursejnë dhe nga kjo përfitojnë jo vetëm ata por edhe gjithë ekonomia jonë. Rritjen më të madhe të buxhetit e kemi siguruar për shëndetësinë, bujqësinë, mbrojtjen dhe arsimin. Rritjen ekonomike nuk e mbajtëm për shtetin, por ia shpërndamë popullit: dy pako masash, për ringjallje ekonomike dhe për përballje me inflacionin, në një total prej gati një miliard eurosh. Përfundimisht, Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën nga tetori i vitit të kaluar është më i miri në 15 vitet e fundit. Prandaj nga 1 janari i vitit 2024 hiqet edhe regjimi i vizave për pasaportat e qytetarëve të Kosovës.
Kemi bërë shumë për komunitetin serb. Kemi përfunduar restaurimin e trashëgimisë ortodokse në Kosovë: Manastirin “Qeli” dhe kishën e Shën Mërisë në Kamenicë, si dhe Manastirin e Dragancës në Novobërdë. Ka filluar restaurimi i katër shtëpive tradicionale në Prizren, pronarët e së cilave janë serb. Në bazë të thirrjes së fundit për ndihmë direkte, mbështetje financiare kanë fituar disa organizata dhe individë për botim librash, aktivitete sportive, kulturore dhe artistike. Në proces hartimi është plani i konservimit të fshatit Hoçë e Madhe.
Sërish është themeluar puna e komisionit përgjegjës për verifikimin e diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut. Ky komision deri më tani ka pranuar 44 aplikime nga të diplomuarit. E në të ardhmen, për të lehtësuar procesin e aplikimit, po implementojmë një platformë online. Të gjitha me synimin e një niveli më të lartë të efikasitetit. Kemi krijuar edhe programin e ndihmës “Qeveria për Familjen”, në bazë të të cilit ne ofrojmë subvencione për pagat e të punësuarit të vetëm brenda familjes. Me këtë program kemi ndihmuar 115 familje serbe. Po ashtu, Ministria jonë për Komunitete dhe Kthim ka ndihmuar në themelimin e 123 ndërmarrjeve të vogla, ndër të cilat 48 ishin për mirëqenien e komunitetit serb. E Agjencia jonë për punësim ka ndërmjetësuar punësimin e 371 personave nga komuniteti serb – dyfish më shumë se vitin e kaluar.
Kemi dyfishuar buxhetin e zyrës së Komisionerit për Gjuhët për sa i përket bashkëpunimit në projekte me organizatat joqeveritare, kemi mbështetur programin e studimeve të Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës dhe kemi shpërndarë 19 grante për organizatat joqeveritare dhe mediat që mbështesin komunitetin serb, dhe kemi filluar ndërtimin e 8 shtëpive për familjet serbe.
Platforma jonë e re “Superpuna u mundëson të rinjve të moshës 18 deri në 25 vjeç të marrin pagën minimale si bonus: deri tani kemi 11 mijë të rinj aktivë, gjashtë mijë e gjysmë biznese të regjistruara, me më shumë se 8 mijë mundësi të hapura për vende pune. Kemi ndarë 3 milionë euro për organizata joqeveritare, fermerë dhe start-up. Afati i aplikimit përfundon këtë të premte, andaj nxitoni pak.
Të dashur qytetarë,
E kam theksuar shumë herë se ky shtet është i yni i përbashkët – ai që na përqafon dhe na mbron dhe për të mirën e të cilit jemi të detyruar të luftojmë. Le të ecim drejt një të ardhmeje më të mirë së bashku, duke ndërtuar ura të forta, për shkak të asaj që duam për veten dhe familjet tona.
Vendi ku jetojmë është shtëpia jonë, e shteti ynë është shtëpia e të gjithë neve.
Faleminderit shumë dhe ju uroj gjithë të mirat.

Arrestohet një serb në Graçanicë nën dyshime për krime lufte

Policia e Kosovës ka arrestuar një serb në Graçanicë që dyshohet për krime lufte në Kosovë.

Sipas njoftimit, i arrestuari, i identifikuar me iniciale D.M, dyshohet për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile.

Ai dyshohet se gjatë luftës ë Kosovë, si gardian në burgun e Lipjanit “në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”.

Policia tha se gjatë kontrollit të shtëpisë së dyshuarit ka sekuestruar si prova materiale, sikurse një revole, fishekë, një thikë ushtarake, një shufër metalike, por edhe dokumente, vendime, shënime dhe telefonin e tij personal.

Pas këtij arrestimi, serbët lokalë u mblodhën para stacionit policor në Graçanicë – komunë e banuar me shumicës serbe që gjendet afër Prishtinës – dhe për një kohë të shkurtër bllokuan rrugën kryesore Prishtinë-Gjilan që kalon nëpër këtë komunë.

Ata kërkuan lirimin e të arrestuarit.

Graçanica është një prej gjashtë komunave me shumicë serbe që gjendet në jug të Ibrit.

Për këtë arrestim kanë reaguar nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhe nga Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

Lista Serbe tha se ky arrestim “është i pabazuar”. Kjo parti tha se i arrestuari është Dragisha Millenkoviq, duke shtuar se po bëhet “gjueti për serbët para syve të bashkësisë ndërkombëtare”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se ky arrestim është “plani i hakmarrjes ndaj serbëve” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke mos dhënë asnjë dëshmi për të mbështetur këtë pretendim.

Lufta në Kosovë e viteve 1998/99 përfundoi pas fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër ushtrisë serbe.

Mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në luftë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur janë mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.rel

‘Na rrethuan teksa po hanim drekën’, zbulohen dëshmitë e tre policëve të rrëmbyer nga serbët në Kosovë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në një konferencë për media ka shpalosur detajet nga takimi i ambasadorit Jetish Jashari me tre zyrtarët policorë që po mbahen në qendrën e paraburgimit në Kralevë.

Gërvalla ka treguar se takimi i ambasadorit Jashari me tre oficierët, Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shemë Mustafa ka zgjatur 15 minuta me secilin prej tyre.

“Takimet janë mbajtur të ndara nga 15 minuta secili, dhe ata kanë treguar ngjarjen e rrëmbimit të tyre”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja ka ndarë detaje nga biseda që kanë pasur tre oficerët me ambasadorin Jashari.

“Ata kanë theksuar si në vijim: Më 14 qershor rreth orës 12:30 minuta duke ngrënë drekën papritmas janë rrethuar nga rreth 15 persona të uniformuar të cilët më vonë kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të forcave të sigurisë së Serbisë, të cilët i kanë sulmuar dhe çarmatosur dhe pastaj me thes në kokë i kanë dërguar tek makinat e tyre”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja ka shtuar se zyrtari policor Beqir Sefa ka theksuar se disa nga pjesëtarët e forcave të sigurisë së Serbisë kanë shkrepur armët në ajër.

“Në momentin e kidnapimit ata kanë qenë duke ngrënë drekë në tavolinën e improvizuar e cila menjëherë është afër gropës së parë dhe 15 metra larg gropës së dytë. Gropat hapen për të bllokuar kalimin përmes rrugëve ilegale. Të dyja gropat janë brenda territorit të Kosovës, sepse ne nuk hapim gropa në territorin e Serbisë”, ka treguar tutje Gërvalla.

Ministrja e MPJD-së, ka shtuar se pas kidnapimit ata janë dërguar brenda territorit në Rashkë ku pas një ore kanë ardhur forcat tjera të Serbisë dhe i kanë dërguar në Beograd, ku janë mbajtur deri më 16 qershor ku ka skaduar afati prej 48 orësh i mbajtjes në polici.

“Kanë treguar se nuk janë maltretuar fizikisht, mirëpo nuk iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm vetëm nga një copë bukë. Ndërkaq Shem Mustafa i cili ka probleme kronike shëndetësore i është dhënë vetëm një injeksion dhe një pompë me frymëmarrje. Nga momenti i shqiptimit të paraburgimit ata janë vendosur në Kralevë, janë në dhoma të veçanta. Sipas tyre trajtimi është korrekt, u jepet ushqim në baza të rregullta ditore edhe pse cilësia është jo e mirë”, tha Gërvalla.

Gërvalla shtoi se Shem Mustafa ka treguar se ende i mungojnë medikamentet bazike dhe se kjo po ja vështirëson qëndrimin në burg.

“Ata janë takuar edhe me avokatët mbrojtës. Ju është thënë se mund të vizitohen nga familjarët e tyre ditën e premte”, tha Gërvalla.

EKSKLUZIVE(2): Ku janë Devollët?! Edhe pronësia e “Art Motion” është e regjistruar në Maqedoni me dokumente “Peç Serbia” si investim i huaj nga Serbia…! Nga Jeton Sopa

Pas hulumtimit për pronësinë e Klan Kosova shpk, www.kosovanews.net ka vazhduar me hulumtimin e një kompanie tjetër që lidhet me vëllezërit Devolli.

Kompania ArtMotion, e cila rrufeshëm gllabëroi rrjetin kabllor të internetit dhe të përmbajtjeve televizive, në veçanti ato sportive, duke e monopolizuar tregun tashmë në gjithë Kosovën.

Art Motion Sh.P.K, kompani që  mendohej të jetë në pronësi të vëllezërve Devolli, pas hulumtimit të KosovaNews, e vërteta në bazë të fakteve dhe dokumenteve del të jetë krejt ndryshe, në fakt është SHOKUESE.

Në qindra faqe dokumente të nxjerra në institucionet e Republikës së Kosovë dhe të Maqedonisë Veriore, pronësia e Art Motion Sh.P.K është gjithashtu e ndërlikuar dhe me pronar fiktiv.

Në bazë të hulumtimit që kemi bërë, të dhënat për pronarët duket se janë bërë me qëllim të koklavitura, për të mos u kuptuar, por pasi zbulojmë pronësinë e vërtetë të dhënat e pronarit të vërtetë dalin të jenë skandaloze.

Sipas të dhënave të ARBK-së, kompania që e ka në pronësi Art Motion SH.P.K është një kompani tjetër e regjistruar në Kosovë, pra  AM Invest Group SH.P.K, ndërsa pronare e kësaj kompanie është një tjetër kompani  “am invest group holding” dooel.  Në webfaqen e ARBK-së, përveç emrit, nuk ka asnjë të dhënë se prej nga është kjo kompani, pra nuk dihen shteti, adresa, pronari etj. dhe pikërisht këtu edhe “fle lepuri”.

Skema e pronësisë së Arta Motion kalon në Maqedoni e regjistruar me pasaportë serbe

Kosovanews ka zbuluar se kjo kompani është e regjistruar në Maqedoninë Veriore. Në bazë të fletëregjistrimit që e kemi nxjerrë nga Regjistri Qendror i Bizneseve në Maqedoninë e Veriut, kompania “am invest group holding” dooel është e regjistruar si kompani hollding, me pronar me pasaportë të Serbisë dhe ku paraqitet si investim i huaj nga SERBIA! Po, po, nga Serbia dhe si pronar i vetëm figuron te jetë z. Valon Shala, me adresë të vendbanimit: “Ul. Leke Dukadjini br 33-1 Peç, Država: Srbija”, pra e përkthyer në shqip: “Rruga: Lekë Dukagjini nr.33-1, Shteti: Serbia”.

Ndërsa në Kosovë, sipas të dhënave publike në webfaqen e ARBK-së, si drejtor i ArtMotion figuron z. Valon Shala, edhe pse në bazë të dokumenteve që kemi siguruar ne, por edhe në webfaqen e Art Motion, LinkedIn drejtor është z. Kushtrim Gojani, i cili në bazë të hulumtimit të kaluar që ka bërë KosovaNews është pronar i vërtetë i kompanisë që e ka në pronësi Klan Kosova shpk.

Por, si dhe pse kaloi pronësia e kompanisë Art Motion nga Kosova në Maqedoni, ku u regjistrua në pronësi me dokumente të Serbisë?

Sipas historiatit  të pronësisë së “ArtMotion”, të siguruar nga KosovaNews përmes qasjes në dokumente publike, ArtMotion kishte qenë një operator kabllor lokal dhe ishte e regjistruar në ARBK në vitin 2002 si Biznes Individual, me pronar z. Muharrem Hajredini. Më datë 03.07.2017, “ArtMotion” BI blihet nga kompania “AM Invest Group” shpk (NRB: 71356337), ku sipas të dhënave drejtor është z. Valon Shala nga Peja.

Historiati i Art Motion

Më dt. 05 korrik 2017, komfor një kontrate për dhurim të aksioneve, z. Valon Shala nga Peja, 100% të aksioneve të “ArtMotion” shpk ia dhuron shoqërisë kosovare “AM Invest Group” shpk (NRB: 71356337), tek e cila ai është drejtor, gjithashtu.

Paraprakisht,  më 26 janar 2017, z. Valon Shala kishte themeluar në Maqedoninë Veriore në Shkup  një  sh.p.k -njëanëtarëshe “AM Invest Holding” DOOEL. Në fletëregjistrimin, të cilin e ka nxjerre KosovaNews nga Regjistri Qendror i Bizneseve të Maqedonisë së Veriut, thuhet se ky është një investim i huaj, kurse adresa e themeluesit dhe pronarit figuron: “Ul. Leke Dukagini br.33/1, Pec, Srbia (?!)” Kurse, email-adresa për kontakt e pronarit, në shikim të parë duket si Euro-Lab (që lidhet me homologimin në Kosovë), por që domeni i këtij emaili te drejton te një firmë gjermane, me pronarë turq.

Më datë 01 shkurt 2017, Valon Shala, pronar i vetëm i  kompanisë së regjistruar në Maqedoninë e Veriut  “AM Invest Holding” DOOEL, paraqet në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë vendimin për themelimin e një shoqërie në Kosovë – “AM Invest Group” shpk, me seli në Prishtinë. Njëherësh pranon që vetë si individ të jetë drejtor dhe agjent i regjistruar i kësaj shoqërie në Kosovë. Pra, siç e thamë më lart, z. Valon Shala më pastaj më datë 05 korrik 2017, 100% të aksioneve të “ArtMotion” shpk ia dhuron shoqërisë kosovare “AM Invest Group” shpk, e cila është në pronësi të shoqërisë maqedonase “AM Invest Holding” DOOEL.

Praktikat ligjore pranë ARBK i ka kryer një avokate e  shoqërisë së avokatëve “SCLR Partners”, që i kishte ndjekur praktikat e regjistrimit edhe për Klan Kosova shpk, kur pronësia kishte kaluar nga një shoqëri maqedonase e regjistruar me dokumente të Serbisë në British Virgin Islands, një shoqëri që menaxhohej nga një avokat grek nga Qipro Marinos Stylianides, e që i njëjti ua menaxhonte kompanitë e Braça Kariçëve të Pejës dhe familjes së diktatorit Llukashenko të Bjellorusisë.

Certifikata pronarit të Art Motion e përkthyer dhe e dorëzuar në ARBK

Të gjitha këto dokumente janë pranuar edhe në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Republikën e Kosovës. Pra, certifikata e pronësisë, e nxjerrë nga Regjistri Qendror i Maqedonisë Veriore, e kompanisë “AM Invest Holding” DOOEL, me pronar z. Valon Shala , kompani e cila aktualisht e ka në pronësi kompaninë Art Motion, e ku  të dhënat e pronarit figurojnë se është shtetas i Serbisë, me adresë “Peç, Serbia”. Pranimi i këtyre dokumenteve në institucionet e Republikës së Kosovës shkel haptas Kushtetutën dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Për të gjitha këto gjetje ne i kemi dërguar pyetje u.d. të kryeshefes së ARBK-së, znj. Pranvera Prestreshi, e pyetur se në bazë të cilit ligj, cilit nen të ligjeve të Republikës së Kosovës janë pranuar këto dokumente në ARBK? Kush janë zyrtarët që janë të përfshirë në këtë skandal, ku janë shkelur Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Ashtu si në rastin e Klan Kosovës, në përgjigjen e dhënë më 12 qershor për KosovaNews, znj. Prestreshi thotë: “Pyetjet e juaja drejtuar ndaj  zyrtarëve të ARBK-së tejkalojnë kompetencat e mija për të dhënë mendime lidhur me legjitimitetin e dokumenteve personale të individëve të caktuar. Personat e apostrofuar nga ana e juaj kur kanë aplikuar për regjistrim të biznesit në ARBK janë paraqitur si person juridik,  i cili ka pasur regjistrim në një shtet tjetër dhe i cili shtet ka legjislacionin e vet për regjistrim, andaj me siguri dokumentacioni i tyre personal për atë shtet ka qenë valid (meqë është bërë një regjistrim i tillë)”.

Por kush është në fakt pronari  i provajderit më të madh në Kosovë, ArtMotion?  

Ashtu si në rastin e “Klan Kosovës”, në qindra faqe materiale të siguruara dhe të nxjerra  nga institucionet e Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore, çuditërisht askund nuk figuron emri i biznesmenit Shkëlqim Devolli, edhe pse i gjithë opinioni e di që kjo kompani është blerë nga Devollët që nga viti 2017. Në bazë të të dhënave zyrtare, pronari “me letra” i ART Motion është z. Valon Shala nga Peja. Sipas burimeve të KosovaNews, z. Shala punon si menaxher i marketingut dhe shef i distributoreve në Princ Caffe, edhe kjo kompani po supozojmë që është në pronësi të Devollëve… Në bazë të të dhënave dhe adresave që ka prezantuar z. Shala në ARBK, ne kemi tentuar të kontaktojmë disa herë me të, mirëpo kontakti ka qenë i pamundur.

Sipas të dhënave në Linkedin , ky është profili i Valon Shalës edhe këtu i mungon fotografia…ndërsa kosovanews i ka bërë një printcreen profilit të tij në facebook javë ndërsa sot profili i tij në fb rezulton i mbyllur…

Art Motion i Kosovës apo…? 

KosovaNews ka hulumtuar më në detaje përmbajtjen e programacionit të operatorit kabllor ArtMotion dhe ajo që e kemi vërejtur është se një pjesë e përmbajtjeve sportive në programacionin e tyre sportiv emitohet vetëm në gjuhën serbe. Pse?

Kjo përmbajtje sportive, përkatësisht e drejta për ritransmetim, gjykuar sipas logos që del gjatë ndeshjeve dhe reklamave që shfaqen në pauza, tregon se kjo përmbajtje televizive blihet nga ArenaSport DOO.

ArenaSport është një kompani serbe, 100% në pronësi të ndërmarrjes shtetërore – Telekom Serbia AD.

Kanalet e ArenaSport, bashkë me disa kanale televizive të tjera serbe, si: RTS, TV Pink, Happy TV, etj. emitohen, përveç nga vetë ArtMotion, edhe nga operatorët e tjerë kabllorë në Kosovë.

A mund të jetë kjo “arsyeja”- pra, mundësia për blerje te subvencionuar të kontentit televiziv nga ArenaSport e Telekom Serbia që pronarja e ArtMotion, të jetë e regjistruar në Maqedoni të Veriut, si investim i huaj nga Serbia dhe me adresa të llojit “Peç, Srbija”?

Pra, Arena Sport, e cila është pjesë e Telekom Serbia, ia jep të drejtat e transmetimit të ndeshjeve sportive, por edhe të programacioneve e tjera kompanisë ‘serbe’ në Maqedoni, duke e llogaritur si operator lokal të Serbisë, kjo pasi që pronarja e ArtMotion në Maqedoni është e regjistruar si investim i huaj nga Serbia dhe me dokumente të Serbisë.

Në këto përmbajtje televizive, në veçanti në RTS, Pink, HappyTV, etj. vazhdimisht propagandohet kundër Kosovës.Vitin e kaluar, me kërkesë të autoriteteve kosovare, këta operatorë i kanë hequr kanalet ruse, si Sputnik, Russia Today etj.

Skandal: Edhe përkundër sanksioneve që i janë vendosur Rusisë, Art Motion në Kosovë transmeton edhe ligat e Federatës Ruse të Futbollit 

Më 26 shkurt 2022 pas fillimit të luftës në Ukrainë edhe Kosova iu bashkua shtetëve perëndimore për sanksione ndaj Rusisë. Kështu në këto sanksione janë të përfshirë edhe kanalet televizive ruse.

Një vendim të tillë më 26 shkurt 2022 e kishte marrë edhe Komisioni i Pavarur për Media ku kishte urdhëruar të gjithë operatorët e shpërndarjes në Kosovë që t’i largojnë kanalet me origjinë nga federata ruse me qëllim të parandalimit të propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Republikën e Kosovës.

KosovaNews ka përcjellë dhe analizuar kanalet sportive që transmetohen në platformën Art Motion, përveç ligave të Serbisë aty transmetohen edhe ligat e Federatës Ruse të futbollit.

Russian Premier League është ndaluar së transmetuari në shumicën e shteteve perëndimore, ndërsa në Serbi vazhdon të shfaqet nëpërmes platformës Arena Sport (pronë e Telekom Srbija). Në Kosovë Superliga ruse dhe plot liga të tjera shfaqen në gjuhën serbe falë bashkëpunimit të ngushtë që ka kompania Art Motion dhe Arena Sport. Kjo gjë bie ndesh edhe me sanksionet qe ka vendosur shteti i Kosovës ndaj shtetit te Rusisë, pasi që gjatë transmetimit të ndeshjeve të superligës ruse të futbollit, shfaqen mesazhe pro pushtimit rus në Ukrainë dhe shpesh edhe mesazhe pro Serbisë dhe kundër Kosovës.

Ndeshjet e ligës së parë të Rusisë duke u transmetuar në platformën Art Motion në Kosovë
Ndeshjet e transmetuara sot, më 19 Qeershor 2023

Për më tepër, kemi liga sikur ajo e Italisë që Art Motion në Kosovë e bën vetëm në gjuhën serbe. Ndërsa, të drejtën për transmetim të Serie A në shqip për Kosovë dhe Shqipëri e kanë kompania Oversport dhe Tring Albania. Pra, si duket, transmetimi i këtyre ligave bëhet për arsye që as Uefa dhe Fifa nuk mund t’ia  ndalojnë, duke qenë se UEFA dhe FIFA i njeh të dyja shtetet, Kosovën dhe Serbinë.

KosovaNews e ka siguruar një dokument të brendshëm të kompanisë Art Motion të datës 05.11.2020, me numër protokolli 762/2020. Shkresa e autorizonte z. Llazar Alleksiq, një shtetas serb, me vendbanim në Beograd, Serbi, që i njëjti në emër e në llogari të Art Motion të bënte raportime, largime të videove, e aktivitete tjera kundër-piraterike. Sipas burimeve tona, z. Alleksiç është me origjinë nga zona e Rashkës, në Serbi, në afërsi të kufirit verior të shtetit tonë.

Z. Alleksiç nga Beogradi, Serbi, punon për shoqërinë “Adria Media Group” DOO, një konglomerat i kompanive serbe me shtrirje në rajon, që operojnë në fushën e medias dhe plasimit të kontentit në pronë të Igor Zhezhel (Igor Žeželj).

Referuar mediave  opozitare në Serbi, z. Igor Zhezhel është pronar i gazetës “Kurir”, portalit “Modo”, media këto të cilat propagandojnë për Vuqiçin. Igor Zhezhel gjithashtu është  i lidhur me Telekom Serbia dhe qeveritarin serb Sinisha Malli, njëri ndër personat më të afërm të Vuqiqit. Përmes tij dhe bizneseve të tij, kjo ndërmarrje shtetërore serbe i ka blerë operatorët kabllorë Kopernikus, Radius Vektor dhe AVcom në Serbi.

Pas gjithë këtyre gjetjeve, ne i kemi dërguar pyetje drejtorit (CEO) i ArtMotion, Kushtrim Gojanit, për ta pyetur se kush janë pronarët e ArtMotion shpk dhe kush janë përfituesit e fundit (“end beneficiary”) të kësaj shoqërie?

Kush qëndron prapa shoqërisë maqedonase “AM Invest Holding” DOOEL në Maqedoninë Veriore? Kush është z. Valon Shala, i cili në regjistrin komercial maqedonas figuron si pronar i vetëm i kësaj shoqërie – rrjedhimisht pronar i shoqërisë kosovare “ArtMotion” (nëpërmes shoqërisë tjetër kosovare “AM Invest” shpk)?

Gojanin, gjithashtu, e kemi pyetur edhe në lidhje me përmbajtjet sportive të kanaleve “Arena Sport”, që shfaqen në shërbimin kabllor (në ArtMotion), i cili transmetohet  në gjuhën serbe.

Ku i blejnë të drejtat e transmetimit të këtij kontenti?

Ku e blejnë aksesin uplink në internet? Direkt te Telekom Serbia, apo te dega e saj në Kosovë – mts DOO? Kur jemi te kontraktimi me “ArenaSport” DOO, a i kanë kontraktuar këto të drejta me anë të shoqërisë kosovare “ArtMotion shpk, apo asaj maqedonase – “AM Invest Holding” DOOEL?
Por, as pas më shumë se një muaji, që kur e kemi filluar këtë hulumtim, Kushtrim Gojani nuk ka kthyer përgjigje, edhe pse kemi tentuar ta kontaktojmë edhe përmes telefonit. Ai e ka fshirë edhe profilin e tij në Likdin ku figuronte si CEO i Art Motion

Raporte të ndryshme të gazetarisë hulumtuese e kanë akuzuar diktatorin serb Vuqiq se me anë të Telekom Serbia dhe kompanive të saja bija, si: mts, ArenaSport, m-tel Austria etj., po e monopolizon tregun medial jo vetëm në Serbi, por edhe më gjerë, në rajon. Gjithashtu këto raporte akuzojnë Vuçiqin se përmes Telekom Serbia dhe satelitëve të saj po i financon jo vetëm mediat që i kontrollon ai por edhe mediat e rajonit.

Arrestohet një serb për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq

Policia e Kosovës tha se ka arrestuar një të dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq më 16 qershor.

Sipas policisë, i dyshuari është i komunitetit serb, i identifikuar me iniciale, U.V.

Autoritetet thanë se arrestimi është kryer në orët e hershme të 19 qershorit në një fshat të Leposaviqit.

“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u tha në njoftimin e policisë.

Ky është personi i tretë që arrestohet për sulmet ndaj gazetarëve, të cilët po raportojnë nga veriu i Kosovës, që kur janë rritur tensionet më 26 maj.

Më 16 qershor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se ishte arrestuar Nemanja Vllashkoviq në Leposaviq, për sulmin ndaj gazetarëve të mediumit Kallxo më 29 maj.

Një ditë më pas, Sveçla tha se në pikëkalimin kuftiar në Jarinjë – që lidh Kosovën me Serbinë – për sulme ndaj gazetarëve u arrestua edhe Dalibor Spasiq.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka thënë se që nga nisja e tensioneve në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, janë regjistruar 30 sulme ndaj punëtorëve të mediave.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur qysh më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë e KFOR-it në Zveçan. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

Situata u përkeqësua më 14 qershor pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se “arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”.rel

Nderohet me çmim në Kosovë, Kadare rrëfen njohjen me Ukshin Hotin: Besimi i tij te Evropa nuk duhet të humbë në Kosovë

Komuna e Rahovecit ka nderuar me titullin “Ukshin Hoti”, shkrimtarit tonë të shquar me famë ndërkombëtare, Ismaili Kadare. Në një ceremoni të veçantë, u kujtua komunikimi i Kadares dhe Ukshin Hotit, gjatë kohës që ky i fundit ishte në burg. Ndërkohë, u tha se besimi i Ukshin Hotit te Evropa nuk duhet të humbë në Kosovë.

“Unë e ruaj mendimin më të mirë për të. Ajo çka kemi folur dhe biseduar, i kemi shkruajtur njëri-tjetrit nëpër letra, mbetet madhore. Duke i rikujtuar tani, e kuptoj se sa pasuruese ishin këto biseda me të, për atë dhe mua. Natyrisht që ishte një gëzim i madh që i jepnim njëri-tjetrit. Ai e jepte këtë ndjesi me këdo që takohej. Me këtë gëzim që merrej prej tij dhe i kthehej atij, qarkullonte dhe bënte që mendimi për Kosovën, ëndrra për Kosovën të ishte e gjallë gjithmonë dhe të mos shkaktonte lodhje ose mërzi.”, tha Kadare në videomesazhin e tij.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smail Latifi foli për kontributin dhe veprën e Ukshin Hotit, si dhe komunikimin mes Hotit dhe shkrimtarit Kadare. Bashkëshortja e Ismaili Kadare, shkrimtarja Helena Kadare, e cila ishte e pranishme në ceremoni, tha se Ukshin Hoti është një njeri që besoi dhe luftoi për ide duke besuar në një forcë të jashtëzakonshme që është në shpirtin e këtij vendi të cilin historia e ka ndëshkuar vazhdimisht. Ajo shtoi se gjithë veprimtaria e Ukshin Hotit janë një testament i rëndësishëm mbi të cilin duhet të vijojë puna për Kosovën demokratike që sheh drejt Evropës.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosovës iu është imponuar lufta dhe shumica e këtyre plagëve nuk njihen nga aleatët tanë e lere më nga ata që i kanë shkaktuar. Mes të tjerash ai tha se qytetarët e Kosovës duhet ta gjejnë fuqinë e pajtimit dhe të jetojnë në paqe, duke mos harruar.
Të pranishmit i përshëndeti edhe rektori i Universitetit të Prizrenit, ‘Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, si dhe djali i veprimtarit të Ukshin Hotit, Andin Hotit. Përpara kësaj ceremonie, me rastin e shënimit të 80-vjetorit të lindjes së atdhetarit Ukshin Hoti, është përuruar kompleksit kulturor-historik në Krushë të Madhe.bw

Sulmohet me gurë në Zveçan kamioni që vinte nga Shqipëria, policia e Kosovës jep detajet

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një qytetar nga Shqipëria është sulmuar nga disa persona në Rudar të Zveçanit.

Sipas raportit 24 orësh të PK-së, mësohet se personi në fjalë ka qenë në një kamion kur ka rënë pre e sulmit, ndërsa është goditur me gurë.

Raporti i plotë:
Rudar, Zveçan 17.06.2023-19:00. Ankuesi mashkull Shqiptar shtetas i Shqipërisë ka raportuar se ka qenë me kamion, 5-6 persona të panjohur e kanë sulmuar me gurë dhe i kanë dëmtuar derën e kamionit dhe janë larguar në drejtim të panjohur, rasti në procedurë hetimore.bw

Normalizimi i relatave me Serbinë, Kurti: Propozimi i BE-së për marrëveshjen e Ohrit, i pa balancuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i pakënaqur me planin e BE’së për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Ai ka theksuar se ajo që ka propozuar BE-ja, nuk mund të ketë më shumë se gjysmën të dedikuar për nenet 7 dhe 10, të cilat flasin për vetëmenaxhim dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve.

Kurti tha se është i angazhuar në dialog, por tha se po mungon zbatimi i sekuencimit të plotë e pa kushte e pa vonesa i Marrëveshjes bazike dhe Ankesit të zbatimit.

“Një sekuencim që do të ishte i balancuar dhe fer, por që praktikisht është krejt i ndryshëm prej asaj që na është ofruar më 26 prill. Jemi të përkushtuar e konstruktivë, por s’mundet që çfarëdo sekuencimi që të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10. Unë e kuptoj që nenet 7 dhe 10 janë nene të marrëveshjes bazike dhe unë jam i interesuar që t`i përfshijë patjetër në sekuencim, por dedikimi atyre nuk mund të jetë me aso prioriteti dhe përmase”, ka thënë Kurti.bw

KFOR dënon sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës

Një ushtar i KFOR-it në Leposaviq. 2 qershor 2023.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka dënuar fuqishëm sulmet ndaj gazetarëve në komunat në veri të Kosovës.

Më 16 qershor, gazetarë të mediumeve të ndryshme, sipas Policisë së Kosovës, “janë sulmuar fizikisht, në mënyrë brutale”, teksa po raportonin nga komuna e Leposaviqit, një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

“Liria e medias dhe liria e shprehjes janë vlera fundamentale që duhet të respektohen nga të gjithë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga dhuna e mëtejme apo nga veprimet që mund të përshkallëzojnë më shumë situatën dhe të sigurojnë që mediat të mund të bëjnë detyrën e tyre fundamentale në mënyrë të sigurt”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Gazetarët më 16 qershor po përcillnin vizitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, te kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Sipas autoriteteve në Kosovë, “individë apo grupe kriminale” hodhën drejt tyre edhe një mjet që dyshohet të ketë qenë shok-bombë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka thënë se nga 26 maji deri më 16 qershor, në komunat në veri të Kosovës janë regjistruar 30 sulme ndaj gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur qysh më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë e KFOR-it në Zveçan. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

Në reagimin e KFOR-it më 17 maj u tha se pas incidenteve në Zveçan misioni ka shtuar prezencën përreth ndërtesave komunale në veri për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejme.

KFOR: Nuk dihet se ku kanë qenë policët në kohën e arrestimit

KFOR-i italian në Bare, Leposaviq, më 14 qershor.

Radio Evropa e Lirë

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se nuk është e qartë se ku kanë qenë tre policët e Kosovës, në kohën e arrestimit nga forcat serbe.

“Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”, thuhet në komunikatën e KFOR-it, dërguar mediave.

Autoritetet e Kosovës pretendojnë se policët janë arrestuar brenda territorit të vendit, ndërsa ato në Serbi thonë se ata kanë qenë “thellë” në territorin e tyre, kur janë arrestuar.

KFOR-i u bëri thirrje të dyja palëve që t’i respektojnë marrëveshjet dhe procedurat e bashkëpunimit me këtë mision, si dhe të përmbahen nga “retorika provokuese”.

“Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës – përfshirë policinë kufitare – dhe KFOR-it”.

“Po ashtu, ua rikujtojmë të gjitha palëve se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it”, thuhet në komunikatën e misionit paqeruajtës.

KFOR-i kërkoi, po ashtu, nga Kosova dhe Serbia që “të shmangin çdo veprim të njëanshëm, që mund t’i përshkallëzojë tensionet në zonë”.

“KFOR-i i mirëpret të gjitha përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thekson misioni i NATO-s.

Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë – qytet në jug të Serbisë – dha të premten urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të arrestuar të Kosovës dhe u shqiptoi atyre masë paraburgimi prej 30 ditësh.

Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

Autoritetet në Kosovë shprehën shqetësim për, siç thanë, “kushtet çnjerëzore” në të cilat mbahen policët.

Zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, tha për Radion Evropa e Lirë se në, bazë të informatave që ka, policët “po mbahen pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor”.

REL-i kontaktoi dy avokatë që përfaqësojnë policët kosovarë, por ata nuk pranuan të flasin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si “rrëmbim” arrestimin e tre policëve.

Sipas Policisë së Kosovës, ata u arrestuan në lokacionin Tresave/Bare, që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës. Ndërsa në Beograd thanë se policët u arrestuan “në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në fshatin Gnjillica, në afërsi të Rashkës”.

Incidenti ndodh në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – si pasojë e hyrjes së kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave atje, të cilat shfrytëzohen edhe nga strukturat paralele serbe.

Ata hynë me ndihmën e Policisë së Kosovës – gjë që shkaktoi protesta të komunitetit serb, të cilat vazhdojnë për më shumë se dy javë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarë të KFOR-it. Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët.

Bashkësia ndërkombëtare bëri përgjegjëse Kosovën për situatën në veri dhe kërkoi prej saj që ta shtensionojë atë.

Sveçla: Arrestohet një nga sulmuesit e gazetarëve në veri të Kosovës

Radio Evropa e Lirë

Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo, në Leposaviq, me datë 29 maj, sapo është arrestuar.

“Nemanja Vllaskoviq do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë. Të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë”, ka shkruar Sveçla në facebook.

Ai ka përgëzuar Policinë e Kosovës për punën në hetimin dhe arrestimin e sulmuesit të dyshuar të gazetarëve.

Sulmet ndaj gazetarëve në komunat veriore të Kosovës, janë shpeshtuar javët e fundit, derisa ata po raportojnë për zhvillimet në këtë pjesë të vendit.

Më 16 qershor, gazetarët janë sulmuar sërish në Leposaviq, derisa po mbulonin vizitën e ministrit të Adminsitrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Elbert Krasniqi, te kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se gjatë tensioneve të fundit në veri të Kosovës janë shënuar 28 sulme në dretim të ekipeve të mediave.

Kurti: Ende nuk kam vendosur se a do të shkoj në Bruksel

Radio Evropa e Lirë

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ende nuk ka vendosur se a do të shkojë në Bruksel, në një takim të thirrur nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Borrell, një ditë më parë ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

“Në lidhje me ftesën e zotit Borrell që të takohemi në Bruksel, e kam pak të çuditshme sepse kur e pyetëm për një takim në Bruksel javën e kaluar, ai tha se së pari na duhet shtensionim i situatës. Dhe menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve nga njësia speciale e Serbisë, Borrell kërkon takim të nivelit të lartë. Kur përshkallëzimi është i madh sa një mal, atëhërë marr ftesë për takim në Brukesl. Kurse, kur këkrkova vetë takim, thanë se më nevojitet të shtensionoj situatën”, tha Kurti.

“Ende nuk kam vendosur se a do të shkoj, mirëpo do ta informoj me kohë zotin Borrell”, shtoi kryeministri.

Komentet, Kurti i bëri gjatë paraqitjes në një panel në kuadër të Forumit të Prespës që po zhvillohet në Strugë të Maqedonisë së Veriut, më 16 qershor.

Ai gjatë gjatë kësaj paraqitjeje tha se ajo çfarë i duhet rajoint është që Serbia të deklarojë pavarësinë nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, dhe të heqë dorë nga politikat e saj, që ai i vlerëson hegjemoniste.

“Jemi në këtë moment problematik, por me marrëveshjen bazë që u dakorduam, që bazohet në njohjen de facto të njëra tjetrës, besoj që mund të normalizojmë marrëdhëniet dhe të qetësojmë situatën në terren”, tha ai.

Kryeministri përsëriti që është i gatshëm të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës, kur të përgatitet terreni për të bërë një gjë të tillë, se përndyshe nuk “mund t’ia dorëzojë Republikën demokratike një policie fashiste”.

“Unë nuk mund të kompenzoj Beogradin zyrtar për humbjet e shkaktuara ndaj Serbisë si shtet për shkak të regjimit të Millosheviqit. Kjo është një çështje krejtësisht tjetër dhe ne duhet të ndajmë kërkesat politike nga krimi i organizuar dhe bandat kriminale”, tha ai.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale. Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

Komuniteti ndërkombëtar e ka kritikuar Prishtinën zyrtare për nxitje të tensioneve.

I pyetur në Forum se si i komenton kritikat në drejtim të tij, që i kanë vlerësuar veprimet e tij si shumë të ashpra, dhe vetë Kurtin si personi që po përshkallëzon situatën, kryeministri u përgjigj duke thënë se ai “beson në bashkëpunimin trans-atlantik”.

“Ne dëshirojmë të kontribuojmë, e jo vetëm të përfitojmë; dhe dëshirojmë të mbrojmë. Unë besoj në bashkëpunimin trans-atlantik”, tha kryeministri.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri:

  • Shtensionimin e situatës atje
  • Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
  • Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kurti, në anën tjetër, e ka prezantuar një plan pesëpikësh për ulje të tensioneve, që kanë të bëjnë kryesisht me luftimin e bandave kriminale në atë pjesë të vendit.

Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri

  • Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
  • Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
  • Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
  • Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
  • Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave

“Policia jonë është më profesionalja në rajon që i shërben shtetit më demokratik në rajon. Ata jënë të orientuar nga Perëndimi dhe janë të trajnuar nga perëndimorët. Prandaj jemi në këtë luftë të rëndësishme”, tha mes tjerash ai.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

“Për fat të keq përvoja jonë thotë se nëse pajtoheni për një dokument dhe ta zbatoni të njëjtin, janë dy gjëra tërësisht të ndryshme”, tha Kurti në këtë Forum.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Kurti në Forumin e Prespës: Serbia duhet të shpallë pavarësinë nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ajo çfarë i duhet rajonit është që Serbia të deklarojë pavarësinë nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, dhe të heqë dorë nga politikat e saj, që ai i vlerëson hegjemoniste.

Komentet Kurti i bëri gjatë paraqitjes në një panel në kuadër të Forumit të Prespës që po zhvillohet në Strugë të Maqedonisë së Veriut, më 16 qershor.

“Jemi në këtë moment problematik, por me marrëveshjen bazë që u dakorduam, që bazohet në njohjen de facto të njëra tjetrës, besoj që mund të normalizojmë marrëdhëniet dhe të qetësojmë situatën në terren”, tha ai.

Kryeministri përsëriti që është i gatshëm të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës, kur të përgatitet terreni për të bërë një gjë të tillë, se përndyshe nuk “mund t’ia dorëzojë Republikën demokratike një policie fashiste”.

“Unë nuk mund të kompenzoj Beogradin zyrtar për humbjet e shkaktuara ndaj Serbisë si shtet për shkak të regjimit të Millosheviqit. Kjo është një çështje krejtësisht tjetër dhe ne duhet të ndajmë kërkesat politike nga krimi i organizuar dhe bandat kriminale”, tha ai.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale. Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

Komuniteti ndërkombëtar e ka kritikuar Prishtinën zyrtare për nxitje të tensioneve.

I pyetur në Forum se si i komenton kritikat në drejtim të tij, që i kanë vlerësuar veprimet e tij si shumë të ashpra, dhe vetë Kurtin si personi që po përshkallëzon situatën, kryeministri u përgjigj duke thënë se ai “beson në bashkëpunimin trans-atlantik”.

“Ne dëshirojmë të kontribuojmë, e jo vetëm të përfitojmë; dhe dëshirojmë të mbrojmë. Unë besoj në bashkëpunimin trans-atlantik. ”, tha kryeministri.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri:

  • Shtensionimin e situatës atje
  • Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
  • Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kurti, në anën tjetër, e ka prezantuar një plan pesëpikësh për ulje të tensioneve, që kanë të bëjnë kryesisht me luftimin e bandave kriminale në atë pjesë të vendit.

Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri

  • Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
  • Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
  • Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
  • Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
  • Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave

“Policia jonë është më profesionalja në rajon që i shërben shtetit më demokratik në rajon. Ata janë të orientuar nga Perëndimi dhe janë të trajnuar nga perëndimorët. Prandaj jemi në këtë luftë të rëndësishme”, tha mes tjerash ai.

Ndryshe, një ditë më herët, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.


Send this to a friend