VOAL

VOAL

Obama në Kenia – ‘Ka një arsye për se unë quhem Barack Hussein Obama

VOAL – NAIROBI – “Afrika është në lëvizje, vrapon: varfëria ulet, mirëqenie shtohet dhe klasa e mesme është në rritje.” Kështu tha Barack Obama në një platé me sipërmarrës në Nairobi, siç raporton BBC. Sot presidenti i SHBA do të vizitojë përkujtimoren e atentatit ndaj ambasadës amerikane më 1998 e do të ketë një bisedë me presidentin Kenyatta për sigurinë. Kenia ka “bërë përparim të pabesueshëm” vitet e fundit, “jam krenar”, ka shtuar. “Kur kam qenë në Nairobi para dhjetë vjetësh, ishte një qytet ndryshe”, nënvizoi presidenti amerikan duke shtuar se “presim gjëra të mëdha nga ju”. Afrika duhet të jetë “motori i rritjes globale”, shtoi ai duke bërë një thirrje që gratë të jenë më të përfshira në jetën e vendit.” “Nëse gjysma e skuadrës sate nuk luan, ke një problem.” E pastaj ka kaluar në një terren personal: “Ka një arsye për se më quajnë Barack Hussein Obama”.

Dhe është përqafuar me motrën Auma e ka darkuar me gjyshen ‘Mama Sarah’. Vizita zyrtare e Obamës në Kenia vazhdon, e para e një presidenti të SHBA në detyrë. “Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të pranishëm për të promovuar vlerat në të cilat besojmë.”  “Do të jem presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që jo vetëm vizion Kenian dhe Etiopinë – tha në një intervistë për BBC pak para se të nisej nga SHBA – por edhe t’i drejtohem një kontinenti të tërë, në kuadrin e samitit historik afrikan që i forcon raportet solide që kemi me kontinentin.” ansa

 

ZDF ia ndërpret intervistën Jahjagës – tjetër e pyesin, tjetër përgjigjet (video)

Janë të rralla rastet kur Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka mundësinë që të paraqitet para një audience të gjerë në Gjermani dhe konkretisht në televizionet kryesore publike gjermane siç janë ARD dhe ZDF.

Dhe i vetmi program i përbashkët televiziv mes dy programeve edhe ashtu mese konkurrente ARD dhe ZDF është ai i mëngjesit. Programin e njohur edhe si MOMA (Morgen Magazin) e përgatit një javë ARD dhe një Javë ZDF, raportojn mediat në vend.

Këtë javë radhën e kishte ZDF dhe me këtë rast temë ishin edhe azilkërkuesit nga Kosova dhe Shqipëria. Pas një prezantimi të djeshëm të Ministrit të Brendshëm të Bavarisë Herrman (CSU) nga Studio e ZDF-it sot u lidhën edhe me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga për të biseduar me të sidomos për problematikën e azilkërkuesve nga Kosova por edhe Shqipëria.

Por ngjau ajo që më së paku pritej. Me një mënyrë pothuajse të pabesueshme Jahjaga jo vetëm që nuk u përgjigj në pyetjetet e gazetares gjermane por asaj iu deshën as më pak e as më shumë se shtatë të herë ta ndërprente Jahjagën e cila tërë kohën fliste për “të arriturat” e Kosovës, artistët e sportistët e saj, tek tuk korrupsionin etj. etj. Atë pra që Kosova e duron prejse kjo zonjë është e para e vendit dhe po ky vend e duron!

Intervista e Jahjagës në ZDF mund të ndiqet në këtë LINK të ZDF ku Jahjaga e jep një shembull sa të turpshëm aq edhe të meritueshëm që nuk i ka as edhe dy fije me politikë!

E që kjo është një vërtetë absolute e tregojnë edhe reagimet e mediave gjermane dhe sidomos gazetës së njohur gjermane Die Welt e cila në një artikull të gjatë paraqitjen e Jahjagës të premten në mbrëje e quan një rekord të pathyeshëm në historinë e re të tv-së gjermane. Dhe atë kur pas shtatë sprovash të moderatores t’i ndërkrehet monologu në fund ZDF ia ndalon sinjalin!

Shikojeni këtu intervistën e plotë të Jahjagës:
http://www.zdf.de/ZDFmediathek/beitrag/video/2394208/Besonderer-Ehrengast-glaenzt-im-ZDF-moma#/beitrag/video/2455080/Kosovo:-%22B%C3%BCrger-sind-isoliert-im-Land%22

Këtu mund ta lexoni tekstin e plotë të Die Wiel-it:
http://www.welt.de/politik/ausland/article144395433/Kosovos-Praesidentin-redet-worueber-sie-will.html

 

 

BETOHET AMBASADORI I RI AMERIKAN NË KOSOVË

VOAL – UASHINGTON – Pak para mbërritjes së tij në Prishtinë, në një ceremoni të veçantë, ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Greg Delawie, ka bërë betimin.

Delawie ka marrë letrat kredenciale, të cilat do t’ia dorëzojë Presidentes së Republikës së Kosovës Ajete Jahjaga pas fillimit të detyrës në Prishtinë.

betohet2

Serbia anulon marrëveshjen për lëvizje të lirë me Kosovën

KOSOVE – Kabineti i Ministres për Dialog Edita Tahiri, në një shkresë drejtuar anëtarëve të Grupit Teknik për Sigurimet Kufitare, ka njoftuar se është anuluar Marrëveshja e Mirëkuptimit për njohjen e ndërsjellë të Sigurimeve te Automjeteve e nënshkruar në Bruksel me 23 qershor në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje ishte paraparë të hynte në fuqi që nga data 24 korrik.

Sipas një njoftimi të bërë nga ana e ndërmjetësit të BE-së në dialog, anulimi është bërë pasi pala serbe nuk ka arritur të bëjë përgatitjet e duhura të nevojshme për zbatimin e saj.

Kabineti i ministres Tahiri ka deklaruar se pasi janë të nevojshme të dyja palët për realizimin e kësaj marrëveshje, janë të detyruar që zbatimin e marrëveshjes ta shtyjnë për një kohë të pacaktuar.

Gjithashtu, shkruan “Telegrafi” në njoftim thuhet se takimi për të diskutuar rreth kësaj marrëveshjeje do të mbahet me datën 5 gusht.

Menjëherë, pas njoftimit se zbatimi i marrëveshjes është anuluar, ka reaguar Rrahim Pacolli nga Shoqata e Kompanive të Sigurimeve të Kosovës. Ai ka thënë se mos zbatimi i ujdisë të arritur më parë tregon se sa jo serioze është Serbia.

Kosovë – Preferojnë arsimin, ekonomikun dhe mjekësinë

Fakultetet më të kërkuara në vitin akademik 2015/2016 në Kosovë, sipas të dhënave të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, janë Fakulteti i Edukimit, pasuar nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Mjekësisë.

Durim Berisha, këshilltar i rektorit të Universitetit të Prishtinës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se numri i maturantëve që kanë aplikuar për tu bërë studentë në Universitetin e Prishtinës ka pasur një ngritje, krahasuar me vitet e kaluara.

“Në Universitetin e Prishtinës prinë me aplikime Fakulteti i Edukimit, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Mjekësisë, si tre fakultetet më të kërkuara nga maturantët gjatë këtij viti, por duhet të përmend se ka një shtim të numrit të studentëve edhe në drejtimet tjera si në Fakultetin e Shkencave Matematiko- Natyrore dhe Fakulteteve Teknike”, ka theksuar Berisha.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, Arsim Bajrami ka theksuar ditë më parë se me konkursin për këtë vit akademik është shkurtuar numri i studentëve për shkencat shoqërore dhe është rritur numri në shkencat ekzakte.

Ministri Bajrami, ka bërë të ditur se do të ketë një analizë të tregut të punës për pesë vitet e ardhshme. Kjo analizë, sipas ministrit, do të shërbejë që universitetet të nxjerrin kuadro, aq sa i duhen shtetit të Kosovës.

“Jemi të vendosur që të përshtatim pranimin e studentëve të rinjë me nevojat e tregut të punës. Kjo që po bëjmë, është një planifikim i mirë, sepse në të kaluarën kemi pasur një planifikim jo të mirë të pranimit të studentëve të rinjë”, ka theksuar ministri Bajrami.

Universiteti i Prishtinës, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2015/2016, do të regjistrojë 7880 studentë, prej të cilëve 7330 studentë të rregullt dhe 550 studentë me korrespondencë.

Si shtesë e numrit si më sipër, Universiteti do të regjistrojë edhe 370 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe 328 studentë nga komunitetet jo-shumicë: boshnjakë, turk, romë, ashkali, egjiptas dhe kroat.

Durim Berisha, këshilltar i reaktorit të Universitetit të Prishtinës, ka theksuar se në këtë viti akademik, Universiteti i Prishtinës ka ngritur kriteret për regjistrim.

“Një dallim nga vitet e mëhershme është se këtë vit kalueshmëria e provimit pranues në Universitetin e Prishtinës është ngritur nga 30 në 40 për qind, çka nënkupton se është ngritur edhe kriteri në aspekt cilësor i studentëve të cilët do të pranohen në Universitetin e Prishtinës”, bën të ditur Berisha.

Të rinjtë, të cilët në këtë vit do të fillojnë studimet, po zgjedhin profesionet e tyre.

Disa të rinjë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, kanë theksuar se përzgjedhjen e fakulteteve e kanë bërë sipas preferencave të tyre dhe se ato profesione që ata i kanë zgjedhur për të studiuar i kërkon tregu i punës.

Linda Sinani ka vendosur të studiojë në Fakultetin e Edukimit që në të ardhmen të punojë si mësuese.

“Dua të studiojë edukimin parashkollor, pres një vend pune pas përfundimit të studimeve, por siç është bërë këtu në Kosovë vështirë për punësim do të jetë një sfidë mjaft e madhe për neve. Sidoqoftë, do të ishte mirë të punojë në profesionin tim, por që nëse nuk arrij të gjejë punë do të punojë dhe ndonjë punë tjetër”, shprehet ajo.

Një profesion që po e kërkon tregu i punës si në Kosovë ashtu edhe në rajon dhe më gjerë ka vendosur ta studiojë Elbasani.

“Do të studiojë për Shkenca Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. E kam zgjedhur këtë fakultet vetëm se është më lehtë për të gjetur punë, pra tregu i punës po i kërkon punëtorë të kësaj lëmie”, shton ai.

Ndërsa, Shpejtim Simnica ka zgjedhur të studiojë në Fakultetin Ekonomik.

“Fakultetin Ekonomik e kam zgjedhur se më pëlqen si profesion i ardhshëm i imi, mendoj se mund të gjej punë më lehtë dhe kjo ka qenë arsyeja që kam aplikuar në këtë fakultet, shpresoj të regjistrohem”, shprehet ai.

Ndryshe, përfaqësues të organizatave që merren me përfaqësimin e interesave të bizneseve në Kosovë, vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet arsimore që në përputhje me kërkesat e tregut të punës, të bëhet edhe përzgjedhja e profileve në sistemin e shkollimit të lartë.

Priten arrestime të reja për mashtrimet me aviobileta

Pas arrestimit të pronarit të agjencisë “Alba Air”, Shefki Rramanaj, i cili dyshohet se ka mashtruar mijëra bashkatdhetarë me bileta aeroplani, gazeta “Zëri” shpalos detaje rreth përfshirjes në këto mashtrime edhe të agjencive dhe tour-operatorëve tjerë.

Në këtë skemë mashtrimi janë të përshirë edhe vëllai i të arrestuarit, që është pronar i agjencisë “Alba Reisen”, Bali Rramanaj, për të cilin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Po ashtu, në këtë skemë mashtrimi është i përfshirë edhe programeri dhe pronari i “webKos.de”, Muharrem Musaj, i cili është duke u hetuar nga Policia gjermane.

Në ndihmën e kësaj skeme mashtrimi ishte përfshirë edhe një agjencia tjetër, i cili për pronar ka një italian me emrin, Rodolfo Scodeller.

“Alba Reisen GmbH” para pak ditësh kishte mbyllur zyrat dhe kishte dërguar SMS për të njoftuar se fluturimet që i kishte planifikuar të gjitha ishin të anuluara.

Por, përveç Bali Rramanajt, Muharrem Musajt dhe Shefki Rramanajt tashmë i arrestuar, kishte edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.

Kosova nuk është çerdhe, por cak i terrorizmit

Kosova është vend i sigurt karshi çfarëdo tendence që mund të paraqitet nga elemente të terrorizmit, kanë vlerësuar zyrtarët e lartë të Policisë së Kosovës.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë, ka theksuar se Policia e Kosovës ka kapacitete të nevojshme për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi, ashtu sikurse edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), me të cilën, siç ka thënë ai, kanë bashkëpunim të ngushtë.

“Unë me përgjegjësi mund të them që Kosova është dhe vazhdon të jetë vend i sigurt karshi çfarëdo tendence që mund të paraqitet nga këto elemente. Policia e Kosovës ka kapacitete të nevojshme, edhe agjencitë e tjera, respektivisht AKI-ja ka kapacitetet e saja, por natyrisht që ne duhet të bëjmë vlerësime dhe analiza koherente mbi zhvillimet, mbi trendet dhe mbi kërcënimet aktuale dhe ato që mund të pasojnë”, ka theksuar Maxhuni.

Ai gjithashtu ka dhënë përgjigje në pyetjen e anëtarit të këtij komisioni, Rexhep Selimi, lidhur me atë se a është Kosova cak i radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Sipas Maxhunit, përgjigja bazohet në vlerësimet e Policisë së Kosovës.

“A është Kosova çerdhe e terrorizmit, radikalizmit të dhunshëm apo target? Vlerësimet tona është se Kosova nuk është çerdhe, e as nuk është promovuese, por është cak, është target”, ka theksuar Maxhuni.

Pas kërkesës së deputetit Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, gjithashtu anëtar i këtij Komisioni Parlamentar, që të sqarohet çështja se pse është anuluar koncerti për shënimin e 4 korrikut, ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Maxhuni ka theksuar se Policia e Kosovës nuk ka informacione lidhur me këtë çështje.

“Cili ka qenë shkaku kryesor apo arsyeja përfundimtare për ta anuluar koncertin që ka qenë i paraparë për ditën e pavarësisë së SHBA, kjo gjë nuk është e njohur për ne. Është një vendim që është marrë jashtë kompetencave të Policisë së Kosovës”, ka theksuar Maxhuni.

Drejtori i Policisë së Kosovës ka theksuar gjithashtu se lidhur me rastin e arrestimit të 5 personave që ndërlidhen me rastin te liqeni i Badovcit dhe të cilët janë arrestuar si të dyshuar për terrorizëm, i gjithë suksesi ka qenë e arritur e përbashkët e qytetarëve dhe Policisë së Kosovës.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Skënder Hyseni, gjatë një vizite në komunën e Podujevës, u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë syqelë dhe të denoncojnë çdo përpjekje të radikalizmit fetar.

“Të denonconi çdo tendencë për radikalizim, kudo që e hetoni. Është obligim qytetar, nacional dhe patriotik, ua them me plot gojën. Kudo që të hetoni tendenca, shpërfaqje të thirrjeve, diskurseve ekstremiste, t’i denonconi ato, sepse nga ky vend i vogël, në luftrëra të huaja të dhunshme, terroriste, kanë marrë pjesë mbi 300 qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Hyseni.

Edhe ministri Hyseni, por edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni kanë theksuar se që nga viti 2012 e deri më tash në luftëra të huaja, përkatësisht në Siri, kanë marrë pjesë rreth 300 qytetarë të Kosovës.

Por, Maxhuni ka sqaruar se tash për tash, numri aktual i personave që dyshohet se tani marrin pjesë në zhvillimet apo aktivitetet e ndryshme në luftën e Sirisë është rreth 100 persona.

Kosovë – Kërcënimet terroriste, nga verbale në faktike

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, ditën e hënë, kanë hedhur poshtë lajmin e publikuar në disa portale se në afërsi të liqenit të Badovcit, ditën e diel, organet e rendit kanë gjetur eksploziv.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “Policia e Kosovës, si vazhdimësi e punës dhe ofrimit të sigurisë, njofton se në orët e pasdites, në një lokacion afër Badovcit ka gjetur armë me municion dhe disa gjëra tjera si rroba, por që nuk kanë të bëjnë me eksplozivin e as me gjëra tjera të dyshuara të kësaj natyre”.

Kelani nuk ka sqaruar nëse ka pasur të arrestuar lidhur me rastin, por ka theksuar se “Policia e Kosovës, siguron se po punon intensivisht drejt zbardhjes së rastit dhe ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike”.

Ndryshe, gjetja në afërsi të liqenit të Badovcit e armës së gjatë, municionit dhe rrobave, të cilat nga policia nuk janë specifikuar nëse janë uniforma ushtarake ose jo, ka ndodhur vetëm disa ditë pas arrestimit të 5 personave të dyshuar për terrorizëm.

Tre prej tyre ishin arrestuar po ashtu te liqeni i Badovcit.

Të pesë të dyshuarve, Gjykata Themelore ua kishte shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërkaq që edhe pas ankesës së tyre në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit, të hënën i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve dhe e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit ndaj pesë personave të dyshuar për veprën penale.

Arrestimet e fundit me dyshimin e veprës penale të terrorizmit, si dhe kërcënimet javë më parë nga grupi militant Shteti Islamik ndaj Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, nga zyrtarë të institucioneve të Kosovës po shihen si veprime të rrezikshme për Kosovën.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës duhet t’i qasen seriozisht kërcënimeve që vijnë nga terrorizmi.

“Çdo kërcënim, po të ishte vetëm verbal nuk do të ishte asnjëherë kërcënim. Kështu që kërcënimet verbale, zakonisht, apriori u paraprijnë kërcënimeve edhe faktike. Kosova nuk është cak i vetëm i kërcënimeve të terrorizmit global, por as nuk duhet të jetë e vetme në luftimin e kësaj të keqe globale që po ndodh rreth nesh”.

Deputeti Selimi, theksoi se Kosovës tashmë i janë shkaktuar dëmet e para nga situata e krijuar rreth ekstremizmit islamik dhe kërcënimet që vijnë nga ky ekstremizëm.

Sipas tij, Kosova është në fazën e njohjeve nga shtetet tjera dhe dëmtimi i imazhit të saj, si një vend që mund të jetë i kërcënuar apo si vend që mund të kërcënojë sigurinë rajonale, e dëmton këtë proces.

Burim Ramadani, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Kosova, ka kaluar nga fazat e kërcënimit të përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm në fazën kur sulmet terroriste mund të jenë prezente në vend, si pjesë e Ballkanit.

“Ballkani paraqet rëndësi strategjike dhe operacionale për lëvizjet ekstremiste dhe terroriste që funksionojnë nën ombrellën e IS-it (grupit militant Shteti Islamik) dhe asnjëri prej shteteve dhe popujve, veç e veç, në Ballkan, nuk e ka vlerën speciale aq sa e ka territori i Ballkanit, si portë hyrëse ose si urë ndërlidhëse me Evropën. Realisht, është i vetmi territor ose rajon që i mundëson qasje më të lehtë drejt Evropës, respektivisht ndaj civilizimit perëndimor”.

Kosova, tashmë është pjesë e koalicionit të vendeve që luftojnë kundër terrorizmit.

Por, deputeti Selimi vlerëson se institucionet e sigurisë në Kosovës, duhet të gëzojnë përkrahje më të madhe politike në luftë kundër terrorizmit.

“Nëse institucionet e Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe institucionet e autorizuara shtetërore të sigurisë, nuk do t’i përziejnë agjendat politike në këtë temë, normalisht që Kosova do të kishte kapacitete, jo si e vetme, por si partnere me të gjitha vendet tjera, për ta luftuar këtë të keqe që është globale”.

“Duket që institucionet e Kosovës po e shfrytëzojnë – për agjenda dhe tema të ndryshme politike dhe jo vetëm- një situatë të tillë, e cila po e dëmton edhe luftën e institucioneve të autorizuara të sigurisë karshi këtij fenomeni”.

Edhe Ramadani vlerëson se duhet të punohet më tepër në koordinimin e institucioneve të vendit në luftë kundër terrorizmit.

“Vërehet qartë një moskoordinim ndërinstitucional dhe ky është elementi i parë që institucionet e Kosovës duhet, me shpejtësi, ta përmirësojnë”.

Ndryshe, kohë më parë, zyrtarë të institucioneve të Kosovës, por edhe njohës të rrethanave të sigurisë në vend, patën theksuar se kërcënimet e grupit militant Shteti Islamik ndaj vendeve të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, synojnë mbjelljen e frikës tek qytetarët, por ato kërcënime nuk duhet neglizhuar.

Arian Zeka: Kosova vazhdon prirjen negative ekonomike

Rritja ekonomike, as duhet dhe as mund të bazohet në Qeverinë e Kosovës apo në institucionet publike – ajo duhet të vijë nga sektori privat. Kudo, në çdo vend ku funksionon ekonomia e lirë e tregut, bartës kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit është sektori privat. Prandaj, që të ndodhë kjo, duhet sa më shpejt të futen masat, të cilat mundësojnë fuqizimin e këtij sektori”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Zeka, shtatë muaj që nga krijimi i institucioneve të reja, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës vazhdimisht kanë deklaruar se janë duke punuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Ju, si përfaqësues i bizneseve në Kosovë, si i keni parë këta shtatë muaj të qeverisë?

Arian Zeka: Ajo çfarë mund të themi për këtë periudhë të Qeverisë së re të Kosovës, është se ka pasur një rritje të shpresës dhe pritjes për rezultate më të mëdha edhe nga ana qytetarëve edhe nga ana e bizneseve, por për shkak të dinamikës së ngadalshme në vendimmarrje në nxjerrjen e masave lehtësuese për bizneset e që nuk ka pasur rezultate konkrete.

Ajo çfarë mund të thuhet është që ka pasur vazhdim të trendëve negativë nga viti i kaluar, edhe në aspektin e rritjes dhe fuqizimit të sektorit privat, edhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, që rrjedhimisht do të ndikojnë në normën e pritshme ekonomike për vitin 2015.

Radion Evropa e Lirë: Po thoni se nuk ka pasur rezultate konkrete, pse nuk janë arritur këto rezultate dhe çfarë duhet të bëhet?

Arian Zeka: Të gjitha këto pritje të shtuara të shoqërisë kosovare duhet të përcillen me masa konkrete të qeverisë. Duhet të shohim këtë zhvendosje të prioriteteve nga politika në ekonomi që i ka munguar Kosovës në të kaluarën.

Jemi të vetëdijshëm që Ministria e Financave dhe Qeveria në përgjithësi, sidomos pas zhvillimeve të fundit brenda Bashkimit Evropian, duhet të vazhdojnë të ndjekin politika më konservative. Megjithatë, ekzistojnë forma tjera mbështetëse, të cilat mund të fuqizojnë sektorin privat.

Rritja ekonomike, as duhet të bazohet dhe as mund të bazohet në Qeverinë e Kosovës apo në institucionet publike – ajo duhet të vijë nga sektori privat.

Kudo, në çdo vend ku funksionon ekonomia e lirë e tregut, bartës kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit është sektori privat.

Prandaj, që të ndodhë kjo, duhet sa më shpejt të futen masat, të cilat mundësojnë fuqizimin e sektorit privat, masat që janë garantuese për investitorët e huaj, pasi që pa kapital të ri, pa metoda të reja të punës, përfshirë këtu edhe teknologjinë më moderne të punës, e cila do të sillej nga investitorët e huaj, vendi ynë do të humbë hapin me zhvillimet që tashmë po ndodhin nëpër botë, e për të cilat ne nuk jemi të përgatitur.

Radio Evropa e Lirë: Thoni se Kosova nuk është e përgatitur. Për çfarë përgatitje bëhet fjalë?

Arian Zeka: Në këtë drejtim duhet të them që Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës së fundi ka filluar lansimin e diskutimit të temave, të cilat, mendoj, që nuk kanë marrë trajtimin e duhur në shoqërinë tonë, duke përfshirë edhe konceptin e ri teknologjik që po promovohet anë e mbanë botës, siç është interneti i gjërave, integrimi i internetit në secilën pajisje, thjesht ndryshimin e mënyrës së të jetuarit dhe kryerjes së punëve, përfshirë edhe ndryshimin e mënyrës së të bërit biznes.

Duam apo nuk duam shumë shpejt do të na imponohet edhe neve, nuk është diçka që lidhet me kërkesën tonë, por diçka që do të na imponohet e për të cilën unë mendoj se ne si vend nuk jemi të përgatitur.

Ekziston një debat i madh anë e mbanë botës,nëse këto zhvillime të reja teknologjike do të ndikojnë në zvogëlimin e vendeve të punës apo krijimit e vendeve të reja të punës, por pavarësisht se çka do të ndodhë, pavarësisht se cili do të jetë rezultati përfundimtar, ajo çka mund të themi nga konteksti ynë kosovar, është që ne nuk jemi të përgatitur për këto zhvillime teknologjike.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, cili do të duhej të ishte hapi i autoriteteve të Kosovës karshi këtyre zhvillimeve teknologjike?

Arian Zeka: Institucionet arsimore në Kosovë nuk po i mbështesin këta trendë të rinj botëror dhe një shqetësim që ne e shprehim në vazhdimësi është që institucionet arsimore nuk plotësojnë nevojat momentale të tregut, por nuk i plotësojnë as nevojat e ardhshme të tregut.

Institucionet arsimor duhet të shohin trendët botëror të zhvillimit të kërkesave për fuqi punëtore dhe të njëjtat të fillojnë të aplikohen edhe në vendin tonë.

Radio Evropa e Lirë: Me këtë trend të zhvillimit të teknologjisë dhe me qytetarët e Kosovës pa arsimim adekuat, ashtu si thoni ju, pra të papërgatitur për nevoja e tregut, zbutja e papunësisë në Kosovë del të jetë një problematikë e madhe?

Arian Zeka: Një prej arsyeve më të mëdha që Kosova ka këtë papunësi të madhe, është për shkak se ne vazhdojmë të kemi të rinj të diplomuar në fusha, për të cilat më nuk ka kërkesë të madhe në tregun e punës.

Po i shoh disa përpjekje të ditëve të fundit që të kufizohet numri i studentëve të rinj nëpër fushat sociale dhe t’u jepet prioritet më i madh drejtimeve që nuk lidhen me fushat sociale, duke përfshirë këtu shkencat natyrore dhe matematikore, e që është një përpjekje e qëlluar.

Nëse ne, si asociacione të biznesit, nëse ministritë përkatëse,nëse shoqëria në përgjithësi flet se ekzistojnë potenciale të shumta të zhvillimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, atëherë shkollimi duhet të jetë në këtë shërbim.

Mund të tingëlloj skeptik, por unë dyshoj se kemi kapacitetet e duhura dhe të mjaftueshme njerëzore që të realizojmë këtë potencial të zhvillimit të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve në Kosovë. Duhet të kemi më shumë fuqi punëtore kurdo që krijohen kompanitë në këtë sektor, dhe ata duhet t’i kenë njerëzit që do t’i kryejnë detyrat dhe t’i realizojnë misionet e këtyre kompanive.

E arrestojnë xhandarët serbë në territor të Kosovës, e dënon gjykatësi shqiptar në Bujanoc

Florim Qerimi nga Stublina (1980) është arrestuar më 14 korrik në brendi të territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe. Florimi tha se xhandarmëria e ka dërguar në Gjykatën e Bujanocit ku është dënuar nga një gjykatës shqiptar me 200 euro.

Qerimi thotë se vija kufitare po shkelet vazhdimisht nga xhandarmëria serbe.

“Isha duke shkuar në arën time ku prisja ta korrnim grurin dhe për një moment kam hasur në xhandarmërinë serbe e cila më arrestojë dhe më pas më dorëzoj tek stacioni i policisë serbe”.

Kështu e nis rrëfimin Florim Qerimi banor nga Stublina i cili u arrestua më 14 korrik derisa po shkonte në arën e tij, raporton rajonipress.

Qerimi tha se xhandarmëria serbe nuk janë sjellë keq me të. “Realisht unë pak rezistova sepse u thashë se jam në tokën time ku gjithmonë e kam punuar tokën dhe asnjëherë s’kam pasur problem, por ata më thanë se duhet të dorëzojmë tek policia”, shpjegon Florimi.

Sipas Florimit, xhandarmëria e kanë dorëzuar tek policia serbe dhe së bashku me ta është dërguar në Bujanoc ku është dënuar nga një gjykatës shqiptar me 200 euro.

“Ishte një gjykatës shqiptar që quhej Reshat dhe i cili u soll shumë keq. Insistonte me çdo kusht që unë të dënohesha me 500 euro, por fatmirësisht qëlloi një shqiptar nga Dobrosini i cili insistonte se unë isha arrestuar gabimisht meqë isha në pjesën e Kosovës”, ka thënë ai.

Florimi thotë se policia kufitare e Kosovës duhet urgjentisht të mbajnë një takim me pjesën serbe që është përgjegjëse për vijën kufitare, kuptohet, me ndërmjetësimin e KFOR-it, në mënyrë që këto skandale mos të përsëriten.

“Nëse vazhdohet kështu që të pengohemi nga xhandarmëria serbe, ne nuk mund të jetojmë tutje këtu”, shprehet i revoltuar Florim Qerimi.

Rugovasit – Kufiri me Malin e Zi nuk mund të shënohet pa pëlqimin tonë

Banorët e Zonës së Rugovës ndihen të anashkaluar nga bisedimet e Kosovës me Malin e Zi për demarkacionin.

Agron Nikqi, përfaqësues i shtatë fshatrave të Zonës së Drelajt, i ka thënë “Kohës Ditore” se askush nga Komisioni qeveritar për demarkacionin kufitar me Malin e Zi nuk është konsultuar me banorët dhe ata janë kundër që pa dijeninë e tyre të shënohet pika kufitare.

Ai tregon se nuk është kundër kësaj çështjeje, por paraprakisht duhet të konsultohen banorët. Nikqi ka demantuar kryetarin e Komisionit Qeveritar për Demarkacion, Murat Meha, se është konsultuar me banorët.

Ali Lajqi, anëtar i komisionit qeveritar që ka rolin vëzhgues, njëherësh edhe kryetar i Komisionit Komunal nga Komuna e Pejës për kufirin me Malin e Zi, thotë se ato që i paraqet Murat Meha nuk janë harta, por vijëzime variante të Malit të Zi të vitit 2004-2008.

Nëse jetësohen pretendimet e Malit të Zi, Muq Lulaj, nga fshati Stankaj i Rajonit të Rugovës së Komunës së Pejës do të humbë hiç me pak se 6 hektarë tokë, të cilat do të mbeteshin në territorin e shtetit fqinj të Malit të Zi.

Kosovë – Kushtet higjienike në markete, alarmante

Kushtet higjienike sanitare në shumicën e marketeve në Kosovë ku shiten produktet ushqimore, nuk i plotësojnë kushtet adekuate në të cilat do të duhej të ruhen ato produkte.

Këto vlerësime i kanë dhënë për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të organizatës që merren me mbrojtjen e konsumatorit.

Sipas tyre, nga mos mirëmbajtja në kushte adekuate të produkteve ushqimore, po rrezikohet jeta e konsumatorit.

Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Konsumatori” Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se gjendja higjienike sanitare në marketet në Kosovë është nën nivelin e dëshiruar dhe mjaft shqetësuese.

“Ka vite të tëra që në disa markete të Kosovës ku shiten produktet ushqimore kemi zogj, kemi brejtës, kemi maca në afërsi kemi edhe qenë dhe kjo le të kuptosh se kemi të bëjmë me një menaxhim të dobët dhe me një ruajtje jo adekuate të produkteve që shiten për konsumatorët. Para të gjitha këtyre parregullsive autoritetet kompetente sikur i kanë mbyllur sytë dhe po lejojnë të ndodhin këto gjëra”, shprehet Kaçaniku.

Sipas tij, produktet që qytetari i Kosovës i blen në këto markete bën që ai te jetë i rrezikuar nga ndonjë helmim apo shfaqjen e ndonjë sëmundjeje që do të rrezikonte shëndetin e konsumatorit.

Ai tregon se në organizatën e tij kanë arritur mjaft ankesa nga qytetarët të cilët kanë treguar raste të ndryshme që ata kanë hasur në produktet që i kanë blerë.

“Para disa muajve ne kemi marrë një ankesë nga një qytetare nga Podujeva të cilës një brejtës i kishte dalë në suxhuk. Nëse kësaj ja shtojmë edhe rastin e helmimit të një qytetari i cili pësoi me jetë unë mendoj se nuk ka nevojë për koment. Por, mendoj se autoritetet e Kosovës duhet të veprojnë karshi kësaj çështje dhe të marrin masa adekuate në përmirësimin e kushteve higjienike sanitare në marketet tona”, shton ai.

Me qëllim të vënies së bazës ligjore për rregullimin e kualitetit të ushqimit, zbatimin e masave për pengimin dhe eliminimin e sëmundjeve ngjitëse, si dhe kontrollimin e kushteve higjenike sanitare të këtyre subjekteve afariste, Kosova ka në fuqi Ligjin për Inspektoratin Sanitar.

Sipas këtij Ligji, në rastet kur evidentohet se një subjekt afarist nuk plotëson kushtet adekuate për mirëmbajtjen e ushqimeve iu ndërpritet veprimtaria.

Derisa, gjobat për kundërvajtjet sanitare sipas Ligjit mbi Inspektoratin Sanitar të Kosovës janë nga 1000 deri në 35 mijë euro, varësisht nga shkeljet që Inspektorati konstaton se janë bërë.

Përgjegjësinë kryesore për kontrollin e ushqimit në Kosovë e ka Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit, si autoritet shtetëror.

Zëdhënësi ikëtij mekanizmi Lamir Thaçi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka bërë të ditur se inspektimet janë të vazhdueshme dhe se në momentet kur hasin diçka të dyshimtë merren masat adekuate.

“Në secilën ankesë të konsumatorit ne realizojmë inspektimet brenda 24 orëve dhe në secilin rast kur hasim në produkte që janë duke u shitur në mënyrë jo të drejtë ne marrim masat, konfiskojmë produktet bëjmë asgjësimin e tyre dhe për operatorin e biznesit iniciojmë procedurë gjyqësore”, sqaron Thaçi.

Edhe Thaçi tregon se gjatë inspektimeve, inspektorët kanë hasur në produkte të cilat nuk janë ruajtur në kushte çfarë kërkon produkti.

Ndryshe, jo rrallëherë në tregun e Kosovës është evidentuar se qytetarët e Kosovës kanë hasur në produkte me cilësi të dyshimtë dhe jo të sigurta për t’i konsumuar.

Kosovë: Militantët e IS-it synojnë mbjelljen e frikës

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh Besnik Latifit, Enis Latifit, Milazim Haxhisë, Gazmend Halitit dhe Fehmi Musës.

Të pesë të apostrofuarit janë të dyshuar për terrorizëm dhe janë arrestuar me 11.07.2015, te liqeni i Badovcit.

Masa e paraburgimit ndaj të pandehurve është caktuar “për arsye se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale ‘Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Në anën tjetër, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe njohës të rrethanave të sigurisë në Kosovë, vlerësojnë se institucionet e sigurisë, Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Intelegjencës dhe institucionet tjera për zbatimin e ligjit, duhet të jenë syhapur, të përgatitura dhe të punojnë më shumë në parandalimin e rasteve të ekstremizmit në Kosovë.

Nuredin Ibishi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se institucionet e Kosovës tashmë kanë ndërmarrë edhe masat parandaluese, por edhe të ndëshkimit për kërcënimet që vijnë nga individ apo grupe ekstremiste.

“Do t’i veçoja arrestimet e mëhershme që ishin në këtë vazhdë, por edhe këtë të fundit, që ende nuk ka marrë epilogun, që ndodhi para 3 ditësh, ku u bë arrestimi i personave të dyshuar afër liqenit të Badovcit”.

Skënder Perteshi, analist nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Kosova është e orientuar drejt integrimeve evropiane dhe në NATO, ndërkohë që këto të fundit, nga grupi militant Shteti Islamik shihen si armike.

Megjithatë, kërcënimet eventuale nga ky grup për Kosovën, sipas tij, më shumë kanë të bëjnë me propagandë.

“Kjo është vetëm një pjesë, një propagandë e organizatave ekstremiste, në mënyrë specifike prej IS-it, që pak a shumë të mbretërojë në diskursin publik emri IS (Shteti Islamik) dhe emri ektremizëm dhe në anën tjetër, që të mbjellin frikë, pasiguri dhe shqetësim tek qytetarët dhe opinioni publik”.

Lidhur me rastin e arrestimit të pesë qytetarëve të Kosovës të dyshuar për terrorizëm, Perteshi vlerëson se ende mungojnë informatat e sakta, lidhur me synimet që këta persona kanë pasur.

Megjithatë, sipas tij, shndërrimi i temave mbi terrorizmin dhe rrezikun nga terrorizmi, në tema dite në opinion, si dhe plasimi i informatave jo të plota nga institucionet dhe mediet, janë veprime që e shqetësojnë opinionin dhe si të tilla, ai i vlerëson të gabuara.

“Plasohet një informacion që është totalisht i pakonfirmuar dhe i pa verifikuar mirë. Vet qëllimi i organizatave ekstremiste është që ato të mbizotërojnë në diskursin publik, të mbizotërojnë mendjet e qytetarëve dhe të shkaktojnë një lloj frike dhe shqetësimi tek qytetarët e Kosovës”.

“Këto operacione shteti duhet t’i bëjë në mënyrë më të fshehtë. Do të thotë, emrat e personave që involvohen, mënyra e arrestimit dhe qëllimi pse bëhet, shteti duhet t’i bëjë në mënyrë më të fshehtë, ashtu sikurse edhe hetimet, sepse pak a shumë ndikon që edhe opinioni publik të mos shqetësohet për rastet që po ndodhin”.

Megjithëkëtë, deputeti Ibishi vlerëson se të gjitha rastet duhet të zbardhen për opinionin, pavarësisht faktit se në raste të caktuara edhe mund ta shqetësojnë atë.

“Mendoj që duhet opinioni ta dijë realitetin, sepse nuk ka më asgjë sekrete që të mbetet, sikurse aksionet e fshehta apo diçka të tillë, për arsye se edhe policia do të jetë transparente në ndërmarrjen e veprimeve, së bashku me prokurori dhe gjyqësi”.

“Mendoj se këtu nuk ka asgjë të keqe, pa marrë parasysh që realisht kjo ngritë shqetësime në opinion. Por, në qoftë se nuk ka transparencë, atëherë lindin dyshime tjera se çfarë po ndodhë. Atëherë, mendoj se shqetësimi është edhe më i madh i opinionit”.

Deri para arrestimeve të fundit, të ditës së shtunë, Policia e Kosovës kishte raportuar se ka hapur hetime dhe ka ushtruar kallëzime penale për mbi 130 persona, lidhur me pjesëmarrjen në organizata terroriste, organizimin, rekrutimin nxitjen dhe financimin e individëve për t’iu bashkangjitur organizatave terroriste dhe për të gjitha këto raste është duke u bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Speciale.

Në lidhje me këtë fenomen, sipas Policisë së Kosovës, deri në rastin e fundit, janë arrestuar mbi 80 persona dhe janë bastisur mbi njëqind lokacione të personave të dyshimtë. rel

‘Mabetex’ konfirmon vdekjen e tre punëtorëve kosovarë në Kazakistan

 

“Mabco Construction”, përmes një komunikate për media, ka konfirmuar lajmin e raportuar para pak minutash nga Koha.net se sot, rreth orës 11:00 në Astana të Kazakistanit, ka ndodhur një tragjedi ku për fat të keq kanë humbur jetën punëtorët Blerim Kadriu (1981), Bekim Durmishi (1983) dhe Luan Bakia (1976) si dhe janë lënduar Hajrush Hoti (1969), Isuf Bekolli (1956) dhe Avni Maksuti (1979).

“E gjithë familja e Mabetex shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë tragjedi dhe lutemi për ata në këtë natë të madhe të muajit të shenjtë. Janë duke u marrë masat e nevojshme për tu kthyer kufomat e të ndjerëve në Kosove dhe tre të tjerët janë duke u trajtuar në mënyrën më dinjitoze në spitalet e Astanas”, thuhet në komunikatën e “Mabco Construction”.

Kosovë-Mal i Zi: Haradinaj ia përplas hartën në fytyrë kreut të komisionit të demarkacionit

 

Ramush Haradinaj, në cilësinë e anëtarit të Komisionit për Punë të Jashtme, i ka përplasur në fytyrë hartën, kryetarit të Komisionit Shtetëror për Demarkacion me Malin e Zi, Murat Meha.

Mësohet se Haradinaj as nuk e ka lënë Mehën të përfundojë raportimin, duke përplasur një hartë që kishte në dorë dhe më pas ka lënë mbledhjen, shkruan Gazeta Express.Ngjarja ka ndodhur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës ku po mbahet mbledhja e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe po raporton Komisioni Shtetëror për Demarkacion me Malin e Zi.

ILIR SHALA – TAKIM ME DEPUTETIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS ANTON QUNI

VOAL – PRISHTINË –  Ilir Shala, kandidat për deputet në zgjedhjet nacionale në Zvicër nga radhët e partisë CVP, ne kuader te vizites zyrtare ne Kosove u takua me Anton Qunin, deputet i Parlamentit te Republikes se Kosoves.

Ilir Shala, në shënimin e tij në facebook, shkruan: ‘Ne takim u bisedua per tema te rendesishme te skenes politike ne Kosove si dhe per diasporen kosovare ne Zvicer. Z. Quni perkrahu fuqishem kandidaturen time per Deputet ne Parlamentin Zviceran dhe me inkurajoj te vazhdoj ne avanicimin tim ne skenen politike Zvicerane. Poashtu Z. Quni u zotua se do te mbeshtes kandidaturen time nepermjet nje lobimi te strukturat partiake te LDK ne Zvicer si dhe ne pergjithesi te diaspora shqiptare ne Zvicer. Z.Quni shprehu kenaqesi per gjeneratat e reja shqiptare qe po ngriten intelektualisht dhe profesionalisht ne diaspore.
Faleminderit z. Anton Quni’

Ilir Shala është zëvendës-kryetar i Forumit Rinor të CVP-së në Kantonin e Bernit dhe në moshë mjaft të re është kandidat serioz për t’u zgjedhur deputet në zgjedhjet nacionale.

Ilir Shala nga Smaqi i Gjakovës, 20 vjeçar, është i gatshëm për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve në Zvicër, sikurse edhe interesat e të rinjve, zviceranë dhe të të banorëve tjerë që jetojnë aty.

Mbështetja unike e shqiptarëve në Kantonin e Bernit për kandidatin për deputet Ilir Shala është mbështetje e sukseseve të shqiptarëve në Zvicër.

Suksesi i Ilir Shalës dhe të rinjve nga Kosova në Zvicër është sukses yni i përbashkët.

Lista Serbe e Kosovës – në delegacionin e Serbisë në Bruksel

Pavarësisht që përfaqësuesit e Listës Serbe janë pjesë e institucioneve të Republikës së Kosovës të nivelit qendror dhe lokal, në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ata janë pjesë e delegacionit të Serbisë.

Këtë e ka konfirmuar edhe Goran Rakiq, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së veriut nga Lista Serbe, i cili së fundmi ka qenë i pranishëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Unë kam qenë anëtar i delegacionit të Beogradit edhe me ftesën e Bashkimit Evropian dhe qëllimi im është që të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme dhe një kompromis. Ndërkaq, definicioni i kompromisit është zgjidhja e problemit me pakënaqësi të të dyja palëve”, tha Rakiq.

Por, kjo situatë, ku në dialogun Kosovë- Serbi, serbët që janë pjesë e institucioneve të Kosovës, në fakt janë pjesë e delegacionit të Serbisë në Bruksel, sipas analistit të çështjeve politike, Halil Matoshi, është më shumë se paradoksale.

“Jo vetëm që është paradoksale, por është rast unik në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, që përfaqësuesit politik, ministrat, zëvendëskryeministra, të një shteti, të përfaqësojnë një shtet tjetër ose së paku, të deklarohen se përfaqësojnë një shtet tjetër. Por, kjo mund të ndodhë vetëm në Ballkan dhe vetëm në Kosovë”.

Por, Rakiq, nuk e sheh këtë situatë si paradoksale. Sipas tij, është e parëndësishme se kush në cilin delegacion është, në qoftë se dëshirohet të gjendet zgjidhja e problemeve.

Megjithatë, sipas tij, është e dukshme që autoritetet e Kosovës i shohin problemet skajshmërisht ndryshe nga Serbia.

“Nëse ata konsiderojnë që veriu dhe katër komunat e veriut janë pjesë e Kosovës, atëherë pse ata duhet të bisedojnë me Beogradin? Pse nuk thonë se ‘kjo është e jona dhe nuk kemi çfarë të bisedojmë’? Në qoftë se Prishtina po përpiqet që peshën e problemit ta bartë në veri, duke i fshehur problemet e veta që i ka në tërë territorin e Kosovës, atëherë nuk do të arrijmë kurrë deri te një rezultat konkret”, tha Rakiq.

Por, me gjithë insistimin që të marrim përgjigje lidhur me pyetjet që ka ngritur Rakiq, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, nuk janë prononcuar.

Në anën tjetër, analisti Matoshi, vlerëson se Qeveria e Kosovës është e pa aftë dhe pafuqishme që t’i bindë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që t’ia dëshmojnë besnikërinë.

Sipas tij, situata e tanishme nuk i pengon përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që të bisedojnë me Listën Serbe.

“Të bisedosh me qytetarët tu, nuk është kurrfarë tërheqje apo zmbrapsje, por pikërisht dëshmohet fuqia për t’i zgjidhur problemet me debat demokratik. Prandaj, edhe Prishtina zyrtare nuk është krejtësisht e pafajshme që nuk ka hyrë në dialog të vazhdueshëm me serbët e Kosovës, para se të krijohej Lista Serbe, e cila dihet se është krijuar nga Beogradi zyrtarë dhe e cila praktikisht, i mbanë fuqishëm ende qëndrimet e Beogradit zyrtar për sa i përket Kosovës”.

Por, Rakiq, vlerëson se tash për tash nuk është gati se e pamundur që përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të bisedojnë vetëm me Prishtinën zyrtare për zgjidhjen e problemeve, pa praninë e Serbisë, si dhe faktorit ndërkombëtarë, që sipas tij, mund t’i garantojë marrëveshjet eventuale.

“Natyrisht që nuk dëshiroj të bisedojmë në këtë mënyrë, sepse nuk është arritur mirëbesimi ndërmjet Prishtinës dhe veriut. Ky mirëbesim nuk ekziston. Në momentin kur ky mirëbesim do të arrihej, ne do të ishim të gatshëm të bisedojmë. Por, Prishtina nuk i përmbahet marrëveshjeve në qoftë se këtë nuk e garanton bashkësia ndërkombëtare” , u shpreh Rakiq.

Analisti Matoshi ka theksuar se kjo situatë reflekton mungesën e një presioni nga Bashkimi Evropian ndaj Beogradit zyrtarë, që t’i lë të lirë serbët e Kosovës që t’i përfaqësojnë interesat e tyre dhe jo t’i nxisë në armiqësi me palën shqiptare të Kosovës.

Prizreni organizon sot marsh për Srebrenicën

Në Prizren do të organizohet një marsh për nder të 20 vjetorit të masakrës së Srebrenicës. Marshi organizohet nga dy organizata jo qeveritare të boshnjakëve në Prizren, e përkrahur edhe nga Drejtoria për Kulturë e kësaj komune.

Sipas një njoftimi dërguar mediave nga OJQ-ja e quajtur “Boshnjak KS”, “Marshi i Paqes për Srebrenicën” do të fillojë sot në ora 17:00, pranë qendrës sportive “Sezai Surroi” në Prizren, për të vazhduar në Bazhdarhane pranë “Shtëpisë e Bardhë” si dhe rrugës drejt Shadërvanit ku do të organizohet performansa “Lulja e Srebrenicës”.

“Marshi i paqes është manifestim këmbësorësh i cili mbahet në kuadër të përvjetorit të gjenocidit ndaj boshnjakëve të Srebrenicës dhe të rrethinës së saj me qëllim të përkujtimit të viktimave të gjenocidit dhe rikujtimin e krimeve të tmerrshme të kryera nga forcat ushtarake të Republikës së Srpskës, të ndihmuar nga forcat e Serbisë, ndaj popullit boshnjak në muajin qershor të vitit 1995. Marshi i paqes organizohet në gati të gjitha vendet e botës, posaçërisht këtë vit kur mbushen njëzet vjet nga gjenocidi në Srebrenicë. Kolona e pjesëmarrësve numëron me mijëra njerëz nga të gjitha anë të botës dhe për çdo vit kjo kolonë është më e madhe”, thuhet në njoftim.

Organizatorët bëjnë thirrje të gjithë qytetarët që të marrin pjesë, për t’u bashkuar me të gjithë botën në përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë, ku janë vrarë mbi 8 mijë njerëz.

Kosova shkatërron sot 1 742 armë

Kosova i është bashkuar Ditës Ndërkombëtare të Shkatërrimit të armëve të vogla më 9 korrik.

Kjo ditë kujton botën që armët e akumuluara, të siguruara në mënyrë jo adekuate dhe armët e paligjshme paraqesin rrezik për sigurinë.

Kosova do të marrë pjesë në këtë ngjarje duke shkatërruar 1 742 armë të vogla dhe të lehta, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP)/SEESAC.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë: ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skender Hyseni, zëvendës-përfaqësueseja e UNDP Alessandra Roccasalvo dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i  Policisë së Kosovës, Naim Rexha.

Shkatërrimi do të organizohet nga Policia e Kosovës dhe do të mbahet sot në Janjevë tek shkritorja.

Armët e shënuara për shkatërrim janë konfiskuar nga Policia e Kosovës gjatë punës së tyre të hetimit të krimit.

BE nxit ngritjen e Gjykatës së Posaçme në Kosovë

Zyrtarë të BE-së të shqetësuar me dështimin e parlamentit të Kosovës që të votojë ngritjen e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Jean-Eric Paquet, u shpreh i shqetësuar me dështimin e parlamentit të Kosovës që të votojë ngritjen e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte. Komentet e tij u bënë gjatë një takimi në kuadër të procesit të stabilizim asociimit të Kosovës me Bashkimin Evropian. Ai tha se është e qartë se një proces i tillë nuk është i lehtë, por shfaqi shpresën se kjo çështje të rishikohet dhe të zgjidhet.

Nuk besoj se mund ta theksoj mjaftueshëm rëndësinë që ka ngritja e Gjykatës për Kosovën dhe pozitën e saj në komunitetin ndërkombëtar si dhe besueshmërinë e përkushtimit politik që është bërë në këtë proces”, tha ai, duke nënvizuar se gjykata do të vendosë  drejtësi për viktimat dhe do të ndihmojë në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Më 26 qershor parlamenti i Kosovës dështoi të miratojë ndryshimet kushtetuese që do t’i hapnin rrugë themelimit të Gjykatës. Institucionet e Kosovës thanë se po përpiqen të gjejnë rrugën për të hedhur sërish në debat këtë çështje si një detyrim ndërkombëtarë ndërsa opozita ka bërë thirrje që të respektohet vendimi i deputetëve të parlamentit dhe të hiqet dorë nga themelimi i saj në formën si është ofruar në parlament.

Debati për gjykatën është përcjellë më shumë reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Por, zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën. Ata thonë po ashtu se dështimi i Kosovës për të ngritur gjykatën mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo do të jetë e dëmshme për shtetin e ri. Dështimi i Kosovës do të mund të pasqyrohej edhe në proceset integruese të saj në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe marrëveshjen e stabilizim asocimit, të cilën Kosova e përfitoi në shkëmbim të angazhimit në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Zoti Paquet, tha se ka shqetësime edhe me mungesën e përparimit në këto bisedime, ndërsa bëri thirrje për vazhdimin e shpejtë të tyre.

Kjo është shumë me rëndësi për normalizimin por është me rëndësi edhe për të ardhmen e Kosovës dhe sjellë përfitime për Kosovën në ekonomi dhe në ardhmërinë e saj evropiane”, tha ai.

Bisedimet i mundësuan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por hapja e kapitujve të këtyre negociatave varet nga zbatimi i marrëveshjeve.

Kjo çështje pritet të jetë temë e vizitës në Beograd të kancelares gjermane Angela Merkel, e cila ngulë këmbë në qëndrimin se hapja e kapitujve të negociatave për anëtarësim duhet të pasojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. za

Zhbogar – Ministrja Bajrami largon nga puna njerëz profesionistë dhe me rezultate të larta

Shkarkimet dhe emërimet e reja në sektorin e resurseve njerëzore dhe në administratën brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, kanë nxitur reagime në zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, ka kritikuar ministren Hikmete Bajrami se ka larguar nga puna njerëz profesionistë me performancë të shkëlqyeshme.

Për më shumë, ai ka theksuar se me këto veprime, ministrja Bajrami ka rrezikuar edhe mbarëvajtjen e procesit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe proceset e tjera të integrimeve evropiane në të cilat gjendet Kosova.

“Bashkimi Evropian është jashtëzakonisht i shqetësuar për këtë rrjedhë të ngjarjeve e cila jo vetëm që vë në pikëpyetje aftësinë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për qëndrueshmërinë dhe implementimin e projekteve për të cilat jemi dakorduar, por gjithashtu vë në pikëpyetje hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, thuhet në letrën e Samuel Zbogar dërguar ministres së Tregtisë dhe Industrisë Hikmete Bajrami.

Këtyre kritikave iu është përgjigjur ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hikmete Bajrami, duke thënë se me këto veprime po lufton korrupsionin në ministri.

“Asnjë presion, asnjë shantazh, asnjë kërcënim, asnjë veprim i kujtdo qoftë nuk më largon nga ideja për t’i ndalë keqpërdorimet, krimin, korrupsionin edhe të njerëzve që janë të lidhur me çfarëdo faktori vendor apo ndërkombëtar”, ka theksuar Bajrami.

Shkarkimet dhe emërimet e reja në sektorin e resurseve njerëzore dhe në administratën e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë po kritikohen edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bujar Dugolli.

Ish ministri Dugolli në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se këto ndërrime që po bëhen po dëmtojnë proceset ekonomike.

Ai ka kujtuar se në këtë ministri vazhdimisht ka pasur ndërrim të pozitave, varësisht nga partia e cila ka udhëhequr me këtë dikaster.

“Në kohën kur kam qenë ministër më ndihmën e donatorëve ndërkombëtarë kemi kualifikuar dhe aftësuar stafin që të jenë adekuat për çështje të ndryshe që janë në domenin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Por, me ndërrimin e pushtetit vjen ministri pasues dhe i largon nga detyra ata njerëz të cilin ishin profesionistë e që ne kishim investuar në përgatitjen e tyre, dhe ky trend vazhdojë edhe me ministrat tjerë të kësaj ministrie”, tregon Dugolli.

Dugolli kujton se që nga viti 2004 deri në vitin 2008 shumë kuadro ishin përgatitur për të kryer punë të rëndësishme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që shumë prej këtyre personave më janë më pjesë e kësaj ministrie.

“Në rast se po bëhen emërimet e reja dhe shkarkimet për të rehatuar militantët partiak është një gjë e gabuar dhe shumë e dëmshme për shtetin, por që nëse ndodh si rezultat i performancës së dobët ose aferave korruptive unë mendojë se askush nuk duhet t’i mbrojë ata as komuniteti ndërkombëtarë por as edhe zyrtarët qeveritarë”, shton Dugolli.

Përfaqësues të shoqërisë civile, në anën tjetër e kanë quajtur të pakuptimt ndërhyrjen e shefit të zyrës së BE-së në Prishtinë, në punët e ministres Bajrami.

“Zhbogar nuk do të duhej të ndërhynte në këtë mënyrë tek disa vendime brenda Ministrisë së Tregtisë nga ana e ministres Bajrami, pasi që nuk besoj që Zhbogar e njeh më mirë administratën brenda sesa vet ministrja”, ka theksuar Petrit Zogaj nga Lëvzija Fol.

Megjithatë, Zogaj ka kërkuar nga ministrja Bajrami që nëse ajo po deklarohet se me këto vendime të shkarkimeve dhe emërimeve të reja po lufton korrupsionin, të tregon ne detaje se për çfarë vepra të korrupsionit bëhet fjalë dhe se kush janë ata persona. rel

Vritet në Siri kikboksieri kosovar, dy herë Kampion Bote, Valdet Gashi

 

KOSOVË –  Valdet Gashi, kampion i botës dy herë në kick-boks është vrarë gjatë luftimeve në Siri përkrahë ISIS-it.

Lajmin e ka dhënë një portal zviceran, i cili ka bërë të ditur se Gashi është vrarë të shtunën, teksa lajmin për të e konfirmoi edhe vëllai i Valdetit. Vëllai i Gashit përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se kikboksieri është vrarë në betejë. Gashi, 28-vjeçar ishte i famshëm në sportin e tij në Zvicër, duke qenë edhe trajner te Winterthur.

Ai ishte shpallur dy herë kampion bote në kick-boks dhe kampion i Gjermanisë në tai-boks ndërsa i ishte bashkuar ISIS, tetorin e vitit të kaluar.

I rritur në Oberpfalz, Gashi kishte thënë se do të shkonte në Tajlandë për të marrë frymë dhe për të bërë trajnim. Këtë version e kishte besuar edhe familja e tij, por nuk e kishte menduar se ai do të shkonte në Siri.

Përmes postës elektronike, Gashi kishte treguar për një gazetë gjermane se ishte pjesë e ISIS, “Po unë jam pjesë e sistemit. Nuk marr pjesë në luftë, por jam duke ndihmuar në rajonin Membij/Jartablus në mbikëqyrjen e kufirit pranë lumit Eufrat”, kishte thënë ai.

Gashi ka treguar se çfarë ndodhte atje ku ndodhej ai, madje duke pohuar se kishte qenë dëshmitar i prerjes së kokave.

Sipas Gashit, qëllimi i heqjes së kokës publikisht ka për qëllim frikën, dhe se ai patrullonte në lokalitete të ndryshme dhe kujdesej që të respektoheshin ligjet islame, siç konsideron ISIS.

Po ashtu ai ka treguar se qëllimi i tyre ishte që të shihnin nëse kishte kontrabandistë, që sillnin ilegalisht mallra, për shembull cigare, alkool dhe drogë. “Këto janë të ndaluara plotësisht këtu”, shkruante Gashi.

“Nëse më njihni vërtetë mua, ju do të duhet ta dini se unë nuk do të bëj diçka të keqe. Por gjithsesi…. mbani këtë mendim për mua, nëse kjo ju bën të lumtur”, shkruante Gashi. bw

vg2

EKSPERTËT – SPECIALEN NUK E DO PDK-ja

Vetëm një javë pasi që ishte rrëzuar amandamenti kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, institucionet e Kosovës ndodhen para sfidës së rikthimit të këtij amandamenti për miratim në Kuvend.

Mesazhet e kancelares gjermane Angela Merkel, të kongresistit amerikan Eliot Engel dhe të drejtorit të Zyrës për çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Thomas Yazdgerdi janë se Kosova duhet ta themelojë këtë gjykatë.

Abstenimi, mungesa dhe votimi kundër i 13 deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, besohet se ishin shkaktarët kryesor të rrëzimit të amandamentit për Gjykatën Speciale.

Përderisa opozita, ishte dhe mbetet kundër themelimit të saj.

Gjatë një vizite që po i bën Kosovës, zyrtari nga Departamenti i Shtetit, Thomas Yazdgerdi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera me votimin kundër themelimit të Gjykatës Speciale të premten e kaluar.

“Ne shpresojmë që qeveria e Kosovës, veçanërisht koalicioni qeverisës, do të rikthej kërkesën për ta themeluar gjykatën në Kuvend, në mënyrë që qeveria të angazhohet për të themeluar atë”, ka deklaruar ai.

Tashmë, Qeveria është zotuar se do ta kthej amendamentin në Kuvend për votim të sërishëm. Por, aktualisht PDK-ja, si faktori kyç në këtë proces mbetet në heshtje.

Një veprim të tillë, analistët politik e shohin vetëm si një taktizim politik të kësaj partie dhe besojnë se në fund, Kuvendi me votën e shumicës së deputetëve të PDK-së do t’i arrijë dy të tretat e votave për të miratuar amandamentin kushtetues.

Analisti Imer Mushkolaj, pret që partitë politike dhe institucionet t’i lënë anash kalkulimet politike dhe të votojnë në interes të vendit.

“Për ne, absolutisht është e panevojshme që të bëhet kjo lojë politike ose partiake për interesa të kujt do qoftë. Thjeshtë është një lojë që po e shohin të gjithë, por edhe ata e dinë se nuk do të kenë zgjidhje tjetër pos që në fund ta votojnë Gjykatën Speciale”, ka thënë Mushkolaj.

Në përgjithësi, tek opinionistët mbizotëron bindja se në fund, Kuvendi i Kosovës bashkë me qeverinë do të gjejnë një zgjidhje dhe do ta formojnë këtë gjykatë, e cila po potencohet si kërkesë e veçantë e faktorit ndërkombëtar.

Në këtë vijë, analisti Artan Muhaxhiri thotë se Kosova nuk duhet të përsëris më episodin e 26 qershorit, i cili, sipas tij, mund t’i kushtojë shtrenjtë në arenën ndërkombëtare.

“Ishte neglizhencë e liderëve kosovar dhe episod i pakëndshëm në raportet mes Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar. Shteti i Kosovës nuk e ka luksin që ta përsëris atë gabim të së premtes i cili do t’i kushtojë shumë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Muhaxhiri.

Themelimi i Gjykatës Speciale me seli jashtë Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtar, pason raportin e Këshillit të Evropës ku ishin ngritur pretendime se pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime lufte gjatë periudhës së viteve 1998 – 2000.

Për këto pretendime, një task-forcë ndërkombëtare kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Mirëpo kjo gjykatë nuk po mund të themelohet për shkak se opozita dhe sidomos disa deputetë të PDK-së në pushtet, nuk po e votojnë atë duke e konsideruar se ajo do të shihej si një gjykatë që gjykon luftën e UÇK-së.rel

Haradinaj: Gjykatën e bëjmë vet, amandamenti çështje e vdekur

“Dyshimet për kinse krime të kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit janë ndërkombëtare, por ato duhet të shqyrtohen në Kosovë”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte tashmë është bërë një temë e pashmangshme. Subjekti juaj politik është pozicionuar kundër kësaj gjykate. Cilat janë arsyet kryesore që nuk e mbështetni atë?

Ramush Haradinaj: Ne jemi për Gjykatë për krime lufte, vendore jo selektive. Jemi që kjo Gjykatë për krime lufte, vendore jo selektive e Kosovës, të këtë edhe një dhomë të posaçme që do të trajtonte në mënyrë sepcifike dyshimet e raportit të zotit Dick Marty dhe të gjeturat e hetimeve të zotit ëiliamson.

Por, nuk kemi përkrahur një monstrum ligjor me mënyrën se si i është prezantuar Kosovës, i cili nga ajo nisja e vet, si letërkëmbim është kthyer në një sistem krejtësisht paralel gjyqësor.

Kjo e qet jashtë funksionit sistemin tonë kushtetues e ligjor dhe si i këtillë është i pa absorbueshëm për Kosovën. Por, ne nuk jemi kundër gjykatës, kundër hetimit e shqyrtimit të hetimeve, por jemi që kjo të ndodhë në një gjykatë vendore në Kosovë, ashtu siç ka ndodhur me vendet e tjera të rajonit, Serbinë e vendet e tjera në konflikt.

Këtë e kërkojmë pasi i kemi dhënë mundësinë për shqyrtim të gjithë asaj që ka ndodhur gjatë periudhës së luftës, OKB-së përmes UNMIK-ut, Tribunalit për ish-Jugosllavi do të thotë në Hagë, dhe EULEX-it.

Pra, 16 vite më vonë pas këtyre tri mundësive që ja kemi dhënë bashkësisë ndërkombëtare, ne kërkojmë të drejtën vet ta vendosim një gjyqësor për krime lufte në Kosovë, me një dhomë të posaçme që trajton këto dyshime dhe të gjetura të hetimeve të zotit ëiliamson që do të mund të përballej edhe prej ekspertëve ndërkombëtarë.

Radio Evropa e Lirë: Kongresisti Eliot Engel ju ftoi juve dhe të gjithë deputetët ta mbështesin themelimin e Gjykatës Speciale, duke potencuar se alternativa tjetër do të ishte që kjo gjykatë të bëhet nga Kombet e Bashkuara. Konsideroni se Kuvendi po rrezikon me këtë mospërfillje të thirrjeve ndërkombëtare?

Ramush Haradinaj: E para, ne e kuptojmë ndjeshmërinë e situatës. Pra, nuk është fare pozicioni i Kosovës i tillë që t’i ikë shqyrtimit të çfarëdo dyshimi apo hetimeve. Ajo që ne po bëjmë është nuk po i japim edhe një mundësi OKB-së. Ne ja kemi dhënë dy herë OKB-së mundësinë, një përmes UNMIK-ut 9 vjet, përmes tribunalit për ish-Jugosllavi aq sa ka ekzistuar.

Pra, nuk e kuptojmë fare logjikën si mundet edhe një herë OKB-ja të interesohet për Kosovën, kur i ka pasur dy mundësi për të ndihmuar në rend dhe ligj. Është tejet jo e logjikshme tejet e papranueshme që OKB fare të merret me këtë temë. Kjo është temë ekskluzive e Kosovës, dyshimet janë ndërkombëtare, por duhet të shqyrtohen në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Si i shihni thirrjet e faktorit ndërkombëtar që vet institucionet e Kosovës duhet ta formojnë këtë gjykatë?

Ramush Haradinaj: Të gjithë këta që zakonisht kërkojnë që ne të veprojmë, janë miq të Kosovës dhe ne e kuptojmë shqetësimin e tyre është edhe shqetësim i yni, por mënyra se si të zgjidhjet ky shqetësim, nuk është më involvimi i OKB-së e i mekanizamave të përbashkët të shumë shteteve sepse edhe ata nuk po janë imun as prej korrupsionit, as prej standardit jo kredibil të ligjit.

Përvojat në të kaluarën për këto 16 vjet nuk na bindin ne në Kosovë se gjithçka është në rregull. Për këtë arsye ne duhet t’i marrim përgjegjësitë dhe duhet të fillojmë një ditë dhe unë jam për. Këtë pozicion timin e forcon vendimi i parlamentit.

Parlamenti i ka hedhur poshtë të gjitha angazhimet e Kosovës deri në atë ditë rreth kësaj teme. Pra, çdo gjë që e ka krijuar një materie deri në votim është hedhur poshtë.

Parlamenti e ka mundësinë e rinisjes jo të vazhdimit të kësaj teme, pra kjo nuk mund të vazhdohet, mundet të rinisë, mundet të prodhojë një produkt të ri Kosova, por nuk mundet të insistojë me dhunimin e demokracisë së vet dhe të krijojë destabilitet në vend, që të rikthejë ta zëmë një lëndë që ka vdekur në bazë të demokracisë.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria ka paralajmëruar se do ta riprocedojë amendamentin kushtetues, tashmë të rrëzuar nga Kuvendi më 26 qershor, për këtë gjykatë. Si e shihni ju këtë nismë të everisë tash?

Ramush Haradinaj: Nuk e di qeveria a e ka seriozisht, por është gabim nuk mundet me vepru kështu. Do të thotë qeverisë i ka dhënë përgjigje parlamenti për materien me të cilën është prezantuar. Qeveria mund ta nis një propozim të ri, por nuk mundet të vazhdojë ta riprocedojë atë e cila ka vdekur. Parlamenti e ka kthyer në piken zero këtë proces.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të kalojmë në një çështje tjetër. Kohët e fundit po vërehet një koordinim i disa veprimeve politike të opozitës. Cilat janë qëllimet kryesore që tri partitë opozitare synojnë t’i arrijnë në këtë periudhë, karshi një koalicioni mjaft të gjerë që kanë dy partitë në pushtet?

Ramush Haradinaj: Ky është një drejtim i yni, ndryshimi në Kosovë. Ne mendojmë se nëse nuk ndodh ndryshimi në vend, në Kosovë po përkeqësohet gjendja. Pra qeverisja e zotit Thaçi e keqësoj gjendjen në vend.

Bashkimi me LDK-në dhe qeverisja e zotit Mustafa, po e përkeqëson një gjendje që veç ishte e keqe. Ne i ballafaqojmë këta dhe synojmë ndryshimin, pra synojmë daljen nga kjo gjendje e qeverisjes. Si dalje nga kjo gjendje që është në përkeqësim e sipër e në vështirësim për qytetarët, i mendojmë zgjedhjet.

Radio Evropa e Lirë: Ju kërkoni zgjedhje të reja, edhe pse nuk ka kaluar asnjë vit nga fillimi i mandatit të institucioneve të reja?

Ramush Haradinaj: Ky vit si parametër tregon se çfarë e pret Kosovën nëse vazhdojmë me këtë qeverisje. Për ne është tepër e papranueshme vazhdimi me një kualitet të tillë qeverisës.

Mendojmë se humbjet e Kosovës do të thellohen enorm, edhe humbjet për qytetarët do të thellohen çdo ditë. Ende s’ka një model të qartë, mirëpo vetvetiu një reflektim politik nga të gjithë ne duhet të ndodhë, besoj edhe nga ata që qeverisin sot, duhet ta vlerësojnë se sa gjatë duan të vazhdojnë me këtë situatë, e cila po e përkeqëson gjendjen në vend.

Pra, do të ishte edhe në interesin e atyre që janë në qeverisje sot me marrë një vendim sa më të shpejtë.

Radio Evropa e Lirë: Për fund zoti Haradinaj, ju morët edhe një mandat të ri për të udhëhequr AAK-në. Çfarë ndryshime, çfarë forma mund të presim në AAK?

Ramush Haradinaj: Ajo që dje kam insistuar shumë është që ne shqiptarët kemi shpirt, kemi ndjenja, kemi vlera. Kosova është ndjenjë, është vlerë është shpirti ynë, e subjekti politik AAK, duhet të punojë me shpirt, me ndjenjë, me vlera, që sistemit politik në Kosovë t’ia kthejë besimin, dhe që njerëzit e Kosovës, qytetarët e Kosovës, BE-në me e bë në Kosovë, NATO-n me e bë në Kosovë, me e thellu miqësinë me SHBA-në jo duke shkuar në SHBA, por duke arritë standard të jetës, standard demokracie në Kosovë, si në SHBA, të cilën e aspirojmë. Meqë jemi në prag të 4 korrikut, uroj pavarësinë e SHBA-së.

Kush do ta themelojë Gjykatën Speciale, Kosova, OKB, apo ndonjë mekanizëm tjetër?

Në Kosovë përmenden disa alternativa sesi do të mund të themelohet Gjykata Speciale për krime lufte, pas dështimit të kuvendit për ta themeluar atë. Votimi për gjykatën mund të riprocedohet në kuvendin e Kosovës.

Reagimi i parë i përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë pas dështimit që pati parlamenti ta miratojë themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, ishte që ata ndjehen të zhgënjyer, por paralajmëruan se Kosova nuk ka alternativë tjetër pos që t’i trajtojë supozimet serioze për krime lufte që dalin nga raporti i vitit 2011 i Këshillit të Evropës. “BE-ja është njoftuar për votimin negativ lidhur me ndryshimet kushtetuese, të cilat do ta kishin mundësuar krijimin e Dhomave Speciale të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Special. Kosova nuk ka alternativë tjetër përpos që t’i trajtojë supozimet serioze që dalin nga raporti i vitit 2011 të Këshillit të Evropës”.

Ky ishte reagimi i parë i përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, pas dështimit që kuvendi ta mundësojë themelimin e Gjykatës Speciale. Reagime të ngjashme kishte edhe nga shumë ambasadorë në Kosovë të vendeve më të industrializuara, të cilat thanë se Kosova nuk ka alternativë, pos që duhet ta mundësojë themelimin e Gjykatës, sepse në të kundërtën këtë do ta bëjë KS-it i OKB-së.

Obligim ndërkombëtar

Tash për tash akoma nuk ka njoftim nga kryesia e kuvendit nëse votimi për ndryshimet kushtetuese që do ta mundësojë themelimin e Gjykatës Speciale do të riprocedohet në kuvend. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, paralajmëroi se orientim i qeverisë së tij është që çështja e votimit të gjykatës speciale të riprocedohet në në kuvendin e Kosovës, duke bërë përpjekje që të bisedohet me grupet parlamentare dhe me secilin deputet veç e veç në mënyrë që të arrihen dy të tretat e votave që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale. Kryeministri Mustafa tha se ky është obligim ndërkombëtare që Kosova duhet ta përmbushë.

Në anën tjetër analistët politik dhe njohësit e çështjeve juridike, thonë se mosmiratimi i formimit të Gjykatës Speciale për krime lufte nga Kuvendi i Kosovës do të ndikojë negativisht në proceset e integrimeve evropiane të Kosovës, ndonëse këto dy procese nuk ndërlidhen drejtpërdrejt njëra me tjetrën. Sipas analistëve, Kosova është dëmtuar, por kjo ndoshta edhe mund të korrigjohet.

Blerim Burjani, njohës i çështjeve juridike, i tha DW-së, se mos votimi për Gjykatën Speciale në Kuvend është një paralajmërim i keq për Kosovën për ditët në vijim. Sipas tij, ka tendenca tjera të ngritjes se ndonjë alternative me qëllim të arritjes së qëllimit të bashkësisë ndërkombëtare. “Përpjekjet do te jenë në drejtim të gjetjes se ndonjë modeli tjetër për themelimin e një gjykate të tillë me kompetenca të veçanta”. Analisti Blerim Burjani, thotë se nuk ka pas nevojë që Kosova të acarojë raportet me miqtë ndërkombëtar. “Politika vendore është e stresuar me pak informata me shumë presione se sa shpjegime adekuate se çfarë do të ndodhë edhe pse kjo gjykatë punën pret ta bëjë në Kosovë, për disa raste është thënë se zhvillimi i procedurave mund të bëhet në ndonjërin nga shtetet e BE e që më së shumti përmendet sërish Haga.

Imazhi i Kosovës dëmtohet

Analisti Blerim Burjan thotë se nuk ka rëndësi se si ka ardhur puna deri këtu, “por kjo gjykatë duhet të fillojë punën, pa marrë parasysh se a ka fakte a nuk ka fare, ideja ishte që të zbardhen raste gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 nga raporti i Dick Martit.” Sipas tij nuk do të ishte mirë që rasti të hapet në OKB. “Kjo do t’i sillte një dëm të madh imazhit të Kosovës, andaj një pjesë e historisë së OKB do të mbetej në sirtarët ndërkombëtar për rastet e gjykuara në Kosovë, andaj më mirë kjo çështje të përmbyllet në Kosovë pa zhurmë dhe pa ndonjë publicitet ndërkombëtar.”

Naim Rashiti Analisti Naim Rashiti

Një njohës tjetër i zhvillimeve politike në Kosovë Naim Rashiti, hulumtues nga Grupi Ballkanik për Politika, (BPRG) thotë për DW, se krijimi i Gjykatës Speciale është një zotim që Kosova e ka bërë qysh vitin e shkuar në këmbimin e letrave ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropiane, Catherinë Ashton. Prandaj sipas analistit Naim Rashiti, mosmiratimi i këtyre zotimeve dëmton thellë marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-së. Ai thotë se nëse gjykata votohet në kuvend, ruhet sovraniteti i shtetit dhe subjektiviteti i rendit kushtetues të Kosovës, si dhe kontrollohet jetëgjatësia dhe mandati i gjykatës.

“Nëse partitë politike janë serioze në krijimin e gjykatës brenda vendit, ato duhet të veprojnë shpejt, të krijojnë gjykatën speciale, buxhetin e saj dhe të ftojnë BE-ne ta menaxhojë gjykatën në tëresi. Në këtë rast, Kosova duhet t’i bindë partnerët e saj se do të respektojë autonominë e gjykatës. Po ashtu Kosova do të duhet të arrinte marrëveshje ndërkombëtare për vendosjen e dëshmitarëve të mbrojtur. Ndoshta kështu do të mund të arrihej qëllimi i hetimeve të raportit të Senatorit Marti dhe ruajtjes se koncensusit në Kosovë e njëkohësisht përmbushjes së kushteve të BE-së. Me siguri se po te ishte bërë më herët do të ishte arritur qëllimi”, thotë Naim Rashiti.

Mundësi për Gjykatën Speciale

Analisti Naim Rashti, pas dështimit që kuvendi ta themeloje Gjykatën Speciale, numëron një varg mundësish që Gjykata të jetë funksionale, mundësi këto që që në fakt janë më të dëmshme sesa votimi të bëhej në kuvendin e Kosovës. “Vetë shkëmbimi i letrës mes presidentes Jahjaga dhe Ashton të lejojë që misioni EULEX të fillojë krijimin e kësaj gjykate, dëgjimi i rasteve të bëhet në një vend jashtë Kosovës. I mbetet Gjykatës kushtetuese të Kosovës të vlerësoj kushtetutshmërinë e marrëveshjes Ashton-Jahjaga. Por, disa muaj më herët kjo gjykatë e ka njohur shkëmbimin e letrave si marrëveshje ndërkombëtare, me vazhdimin e mandatit të gjykatësve ndërkombëtarë”.

Dick Marty Abgeordneter des Europarats Flash-GalerieSenatori zviceran Dick Marty pretendon se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte gjatë luftës në Kosovë

Mundësia e dytë sipas analistit Naim Rashiti është që “Bashkimi Evropian të krijojë gjykatën në Bruksel apo diku tjetër në bazë të marrëveshjes së vitit 2008 ndërmjet sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe Havier Solana, ku OKB (UNMIK) transferon kompetencat e rendit dhe ligjit tek BE misioni (EULEX) në kuadër të rezolutës 1244 të KS-it”.

Dhe mundësia e fundit sipas Naim Rashitit është që shtetet anëtare të KS-it të OKB-se të pranojnë propozimin rus për miratimin e gjykatës speciale për Kosovën nga OKB. Kjo mundësi e fundit është përmendur edhe nga ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracy An Jacobson e cila ka thënë se SHBA-së nuk do ta pengojnë themelimin e Gjykatës Speciale nga OKB, nëse Kosova nuk e themelon vetë këtë gjykatë.

Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Një prokuror amerikan Clint Williamson, tashmë ka kryer një hetim të gjerë rreth këtyre pretendimeve. Kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte. Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

KOSOVA NDERON PERSONALITETIN DHE VEPRIMTARIN E SHQUAR HARRY BAJRAKTARI

Një nga personalitetet më të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, i cili më shumë se tri dekada ka dhënë kontributin në promovimin dhe afirmimin e çështjes së Kosovës, u nderua në një solemnitet të mbajtur sonte në Prishtinë nën patronazhin e ministrit të Diasporës, Valon Murati.

Në këtë ceremoni, ku morën pjesë edhe presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Parlamentit të Kosovës, akademikë e personalitete të tjera të shquara nga jeta shoqërore dhe kulturore shqiptare, Bajraktari u konsiderua si një nga figurat kryesore të lirisë së Kosovës.

Me këtë rast, ministri Murati, tha se Bajraktari nuk kurseu asgjë për t’ia siguruar popullit të vet lirinë. Sipas tij, falë angazhimit të tij dhe bashkëkombësve të tjerë, Kosova sot është e lirë nga shtypja e një regjimi të dhunshëm të cilin e kishte përjetuar për një shekull”, tha Murati.

Murati: Vlerëtimet më të larta për Harry Bajraktarin

Ai punës së rëndë dh e të pandalshme për një standard më të lartë të jetës së tij ia shtoi edhe përpjekjet e vështira për t’ia siguruar popullit të vet lirinë. Nuk kurseu asgjë nga vetja e tij për këtë qëllim. Punën intelektuale, shkathtësitë bindëse, pozitën shoqërore, mjetet financiare dhe gjithçka kishte në dorë. Falë angazhimit të tij dhe bashkëkombësve të tjerë, Kosova sot është e lirë nga shtypja e një regjimi të dhunshëm të cilin e kishte përjetuar për një shekull”, tha Murati.

Ceremoninë e nderoi edhe prania e mysafirit special, mikut te shqiptarëve për më shumë se 25 vjet në Kongresin Amerikan dhe mik personal i Bajraktari, kongresmeni Eliot Engel. Në një fjali rasti ai foli gjatë për miqësinë e ngushtë dhe të përzemërt që e ka me Bajraktarin.

Engel: Gjatë punës sonë të përbashkët kemi punuar që Kosova dhe SHBA të jenë mike

Harry është dëshmia e gjallë se një person i vetëm mund të bëj ndryshime dhe ai me të vërtet e ka bërë këtë ndryshim. Dhe gjatë tërë asaj pune të përbashkët ne gjithmonë kemi punuar që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë si mike dhe aleate të njëra tjetrës. Dhe gjatë këtyre 7 viteve të mia në Kongres gjithmonë kemi punuar që SHBA dhe Kosova të jenë miq të mirë dhe të afërt, tha Engel.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se Bajraktari me angazhimet e tija, ka arritur që ta kthejë dinjitetin e Kosovës.

Minxhozi: Bajraktari e zbatoi në praktikë thënien e John Kennedy

Herry Bajraktari, shkoi në Amerik ë në atë kohë kur në rininë e vet dëgjoi fjalët e presidentit John Kennedy, i cili tha: “mos kërko ç’do të bëjë vendi për ty, por çfarë do të bësh ti për vendin”. Dhe Herry Bajraktari këtë e zbatoi në praktikë duke u bërë një njeri i suksesshëm në të gjitha fushat. Është e vështirë të ndash ekonominë nga politika, është e vështirë të ndash Kosovën nga Amerika, është e vështirë të ndash të gjitha përpjekjet që ai bëri, që Kosova të marrë vendin, dinjitetin edhe në arenën ndërkombëtare”, tha Minxhozi.

Ai shtoi se kontributi i tij nuk ka qenë vetëm për Kosovën, por për mbarë kombin shqiptar, duke marrë nderimet më të larta nga shteti i Shqipërisë.

Vetë Harry Bajraktari në fjalën e tij të rastit e kujtoi rrugëtimin e vet për në SHBA, që në moshën 12 vjeçare, duke bërë edhe falënderime ndaj prindërve të tij dhe popullit Amerikan.

Bajraktari: Jeta ime deri këtu ka qenë rrugëtim i gjatë

“Kjo histori e rrugëtimit të familjes sime për në SHBA, para 46 vjetësh, kishte shpresën e besimit të madh, në një kohë kur Kosova i vuante të gjitha të këqijat nën sundimin e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë. Ky udhëtim i gjatë me babanë, nënën dhe tri motrat, kur i kisha vetëm 12 vjet, më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës… Nga këtu dëshiroj t’i falënderoj prindërit e mi për sakrificën e vullnetin që patën, sidomos SHBA-të që jo vetëm që na pranuan dhe na bënë pjesë të tyre, por na ndihmuan për të arritur qëllimet tona për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që aq gjatë vuajtëm dhe pritëm”, tha Bajraktari.

Në këtë ditë, po ashtu u shënua edhe fillimi i “Muajit të Diasporës”. Me këtë rast, ministri Murati thekso i rëndësinë e hartimit të regjistrit të diasporës dhe mërgatës, duke u bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që t’i përgjigjen thirrjes për regjistrim.

harry1

harry2

harry3



Zëri i Amerikës: Takim Merkel-Mustafa në Berlin

Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha të martën se një prej detyrimeve  më të rëndësishme të Kosovës është që të çojë deri në fund bisedimet me Serbinë.

Ajo i bëri këto komente pas takimit në Berlin me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa.

Zonja Merkel radhiti edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ngritjen e Gykatës së Posaçme në mesin e mesazheve për kryeministrin Mustafa me të cilin ka diskutuar edhe çështjen e emigruesve nga Kosova. Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje për marrëveshje të drejta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe ngritjen e Gjykatës së Posaçme në Kosovë, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte. Ajo i bëri këto thirrje gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, i cili po qëndron në Berlin, pak orë pasi delegacioni i drejtuar prej tij dhe ai i Serbisë, dështuan të arrijnë marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Kancelarja Merkel, e cila javën e ardhshme do të qëndrojë në Beograd, për të nxitur përparime në këtë proces, tha se ky është kusht për përparimin e të dyja palëve drejt integrimeve evropiane.

“Natyrisht, ne kemi një interes shumë të madh që të arrihen marrëveshje të drejta dhe kjo vlen për të dyja palët. Kompromise duhet të bëjnë të dyja palët, jo vetëm Kosova, por natyrisht edhe Serbia. Unë i nxisë të dyja, sepse vetëm nëse shënojnë përparime në bisedime, do të arijnë përparime edhe në rrugën evropiane. Kjo vlen edhe për Serbinë edhe për Kosovën”, tha zonja Merkel, e cila deri tash ka ngulur këmbë që hapja e kapitujve të negociatave me Serbinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të paraprihen nga një marrëveshje gjithpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se me kancelaren Merkel është biseduar për çështjet zhvillimore, integrimin evropian dhe përmbushjen e kritereve për këto integrime, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit por edhe përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Ai u shpreh i përkushtuar edhe ndaj detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës.

“Kancelarja na ka dhënë përkrahjen por edhe edhe kërkesën e saj që ne të intensifikojmë dhe të përparojmë edhe më tutje procesin e dialogut me Serbinë dhe po ashtue që të përmbushim obligimet tona dhe detyrimet sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale si një prej detyrimeve që ne kemi marrë”, tha ai.

Të dy zyrtarët e lartë thanë se kanë diskutuar edhe për cështjen e migruesve të paligjshëm nga Kosova të cilët, sic u tha nuk kanë asnjë mundësi që të përfitojnë nga politikat e strehimit.

Takimi me kryeministrin Mustafa i paraprinë një turneu të kancelaresë Merkel në Serbi, Shqipëri e Bosnjë, që sipas saj dëshmon se Gjermania ësthë e interesuar për qëndrueshëmri në rajonin e Ballkanit që ende përballet me pasojat e së kaluarës që ka lënë pas vetes cështje të pazgjidhura.

KOSOVA – KËRCËNIMI NGA IS NUK DUHET NEGLIZHUAR

Që prej publikimit të një videoje propagandistike nga grupi militant Shteti Islamik (IS) për disa vende të Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, masat e sigurisë në vend duket se janë shtuar ndjeshëm.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka thënë se “në vazhdimësi është duke e bërë vlerësimin e rreziqeve të mundshme të sigurisë në vend dhe në këtë kuadër edhe vlerësime për rreziqet që mund të vijnë nga terrorizmi, grupet terroriste apo individ që ndërlidhen me këto aktivitete”.

Haxhi Shala, kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar për Intelegjencë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se institucionet e sigurisë së vendit kanë shqyrtuar kërcënimet e mundshme dhe sipas tij, ato kanë ndërmarrë masat e sigurisë.

“Edhe Kosova ka ngritur gjendjen e gatishmërisë. Ka dy javë që këtë e ka bërë Policia e Kosovës. Njëkohësisht, edhe AKI është duke i vëzhguar në çdo hap individët që kanë lëshuar mesazhe kërcënuese. Kështu që, besoj që gjithçka e kanë nën kontroll institucionet e sigurisë”, tha Shala.

Florian Qehaja, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se video propagandistike nga grupi militant Shteti Islamik për disa vende të Ballkanit, është në kuadër të fushatës që ky grup e bën për të mbjellë frikë dhe pasiguri tek popujt në Evropë, e sidomos te shtetet e Evropës perëndimore, që kanë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas tij, shtetet e Ballkanit perëndimor nuk kanë ndonjë relevancë në këtë drejtim dhe ato nuk janë caku kryesor i grupit militant Shteti Islamik.

“Unë nuk e shoh nivelin e kërcënimit në atë masë që qytetarët e Kosovës – në këtë rast po flas për Kosovën – të shqetësohen. Mirëpo, nuk duhet neglizhuar si kërcënim, për vet faktin që qytetarët tonë veprojnë atje dhe ata potencialisht mund të përdoren apo keqpërdoren për të arritur ndonjë qëllim të caktuar, që në fund të fundit, në fokus ka mbjelljen e frikës dhe pasigurisë”.

Shala, nuk konsideron se grupi militant Shteti Islamik mund të kërcënojë seriozisht sigurinë e vendit.

“Vendi nuk është i rrezikuar nga ideologjia e IS-it apo individët që kërcënojnë. Nuk është kërcënim serioz dhe gjithçka është nën vëzhgim, përfshirë ata persona që kërcënojnë ose mendojnë diçka të tillë”, tha Shala.

Policia e Kosovës, përmes komunikatës gjithashtu ka theksuar se në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, “ka bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me institucionet tjera të sigurisë në vend, duke përfshirë edhe institucionet relevante ndërkombëtare në rajon dhe më gjerë”.

Por, Qehaja vlerëson se për sa i përket bashkëpunimit rajonal në sferën e policisë dhe intelegjencës, Kosova çalon, për shkak se, sipas tij, ajo nuk ka qasje në iniciativat rajonale të sigurisë, sidomos kur flitet për bashkëpunimin në këtë drejtim me Serbinë dhe Maqedoninë.

“Konsideroj që asnjë shtet nuk mundet që me forcat vetanake të parandalojë një rrezikshmëri të tillë, për arsye se është vështirë të identifikohen njerëzit që kanë qëllime të tilla. Armiku nuk ka adresë dhe mund të gjendet në mesin tonë, por mund të vij edhe nga jashtë”.

“Kur them ‘në mesin tonë’, atëherë mendoj se qytetarët e Kosovës duhet të bashkëpunojnë me organet e sigurisë dhe ta ndajnë me ta çdo indikacion, sado të vogël, si dhe çdo informacion të mundshëm, që shpien në drejtim të parandalimit të ndonjë qëllimi të keq të mundshëm”.

Qehaja ka shtuar se në rast se vlerësohet që kërcënimi potencial vjen nga jashtë, atëherë institucionet e sigurisë duhet ta rritin kontrollin kufitar, sidomos në aeroport, si dhe të shtojnë masat e kontrollimit dhe verifikimit të pasagjerëve që hyjnë në territorin e Kosovës.

Policia e Kosovës, ka theksuar se është duke mbikëqyrur “çdo aktivitet të personave fizik dhe juridik për të cilët siguron informata se mund të paraqesin rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale” dhe se “e gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar”.

Opozita në Kosovë: Votimi për Gjykatën, proces i pakthyeshëm

Opozita në Kosovë insiston se amendamenti kushtetues për Gjykatën Speciale për Krime Lufte nuk mund të kthehet në Kuvendin e Kosovës për votim të sërishëm.

Ky reagim i opozitës pason deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të parë të tij, Hashim Thaçi, për riprocedimin e amendamentit kushtetues, të cilin Kuvendi e rrëzoi gjatë votimit më 26 qershor.

Liderët e tri partive opozitare, Visar Ymeri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj i partisë Nisma, kanë zhvilluar një takim të përbashkët, gjatë të cilit kanë konstatuar se votimi në Kuvendin e Kosovës kundër themelimit të Gjykatës Speciale më 26 qershor është vendim i pakthyeshëm.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i nënshtrohet këtij vendimi. Çdo tentativë për ta përmbysur këtë vendim të deputetëve të Kuvendit të Republikës, të shprehur lirshëm me votë të lirë, gjoja në emër të procedurave, është tendencë për ta përmbysur rendin institucional dhe demokratik në vend”, thuhet në qëndrimin e opozitës. rel

HASHIM THAÇI: DY OPSIONE – TA KRIJOJMË VETË GJYKATËN SPECIALE OSE TA KRIJOJNË KUNDËRSHTARËT E PAVARËSISË TË KOSOVËS

VOAL – Zv kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi tha në Parlament: “Ne kemi dy opsione: ta krijojmë këtë gjykatë veten, së bashku me BE-në dhe SHBA-së, dhe për t’i dhënë fund këtë çështje një herë e përgjithmonë në tre deri në pesë vjet; ose ne dështojmë dhe kjo çështje do të shkojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku gjykata do të krijohet nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës dhe do të zgjasë 15 deri në 20 vjet. ”

DANIEL SERWER: NËSE NUK VOTOHET GJYKATA SPECIALE, KOSOVA HUMBET MBËSHTETJEN E SHBA DHE BE

VOAL – Eksperti për çështjet e Ballkanit, profesori Daniel Serwer i ka dhënë një intervistë Gazetës të përditshme Express në lidhje me mosvotimin e Gjykatës Speciale nga Parlamenti i Kosovës. Pyetjet i ka drejtuar Shpend Limoni.
PYETJE: Kosova e ka refuzuar krijimin e Gjykatës Speciale sipas votimit të djeshëm në Parlament. Ambasadorja ei SHBA Samantha Power disa ditë më parë, tha se kjo çështje do të jetë një test për kredibilitetin lidershipit të Kosovës. A ka ndonjë pasojë që Kosova do të përballet në të ardhmen pas këtij votimi?
DANIEL SERWER:
Po. Më së paku, Kosova do të shihet si e pagatshëm për administrimin e drejtësisë për ata që kanë njollosur reputacionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe vrasje. Për një vend që kërkon njohje dhe pranim ndërkombëtar, kjo nuk është e mirë.

Nuk ka asgjë patriotike për këto krime. Çdo patriot i Kosovës duhet të dojë t’i shohë autorët e krimeve të sillen para drejtësisë.

Unë po ashtu shtoj se kjo nuk është e lehtë për t’u bërë. Është ende shumë e vështirë për sistemin gjyqësor të Kosovës, e cila në çdo rast nuk ka juridiksion për krimet e kryera në Shqipëri. Nuk ka ende asnjë mundësi reale për një ndjekje penale serioze në Kosovë.

PYETJE:: Kryeministri Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi kanë thënë se çështja e Gjykatës Speciale do të jetë shpejt në agjendën e Kuvendit të Kosovës për të refuzuar krijimin e Gjykatës nga ana e OKB-së. A është tepër vonë për Mustafa dhe Thaçi?
DANIEL SERWER:
Sipas mendimit tim është se amendamenti kushtetues që kërkohet, i cili nuk arriti të marrë një shumicë prej dy të tretave vetëm me pesë vota, kjo mund të ndryshojë nesër në qoftë se vullneti politik mund të gjendet.

PYETJE: Ambasadorja amerikane në Prishtinë Tracey Ann Jacobson në reagimin e saj të parë këtu, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të vënë veton kundër iniciativave për krijimin e një Tribunali nën mandatin e OKB-së. A mendoni se një Tribunal i tillë do të kundërshtohet?
DANIEL SERWER:
Ministri i Jashtëm Thaçi e tha mirë në Parlament: “Ne kemi dy opsione: ta krijojmë këtë gjykatë veten, së bashku me BE-në dhe SHBA-së, dhe për t’i dhënë fund këtë çështje një herë e përgjithmonë në tre deri në pesë vjet; ose ne dështojmë dhe kjo çështje do të shkojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku gjykata do të krijohet nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës dhe do të zgjasë 15 deri në 20 vjet. ”

Fakti i trishtuar është se Kosova në të ardhmen do ta ketë të vështirë që të ketë mbështetjen e nga SHBA dhe BE, nëse ky vendim qëndron./EB

SOT MUSTAFA TAKOHET ME KANCELAREN MERKEL

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pritet që sot të udhëtojë nga Brukseli për në Berlin, ku do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Kryeministri Mustafa pritet që me kancelaren të bisedohet rreth nënshkrimit të MSA-së dhe procesit të liberalizimit të vizave.

Mustafa, tregoi se do të kërkoi përkrahje nga Gjermania për këto procese.

Senati amerikan konfirmon Greg Delawie ambasador në Kosovë

VOAL – UASHINGTON – Senati ka konfirmuar diplomatin Greg Delawie në postin e Ambasadorit të SHBA në Kosovë javën e kaluar.

Delawie nga shteti i Virginia-s do ta zëvendësojë në këtë pozitë ambasadoren Tracey Ann Jacobson e cila i jep fund mandatit të saj trevjeçar si kryediplomate e Amerikës në Kosovë.

Delawie ishte propozuar nga Presidenti Amerikan Barack Obama për ta drejtuar Ambasadën në Kosovë në fund të marsit të këtij viti.

Ndërsa Ambasadorja në largim, Tracey Ann Jacobson ka nisur tashmë takimet e fundit. Një të tillë ajo e ka zhvilluar dje me Atin Sava Janjiç të Manastirit të Deçanit.

Thaçi thyen heshtjen rreth asociacionit të komunave serbe

Çështja e formimit të Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, pritet të jetë një nga temat, për të cilat do të bisedohet në takimin e radhës, më 29 qershor në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit të 23 qershorit, të dy kryeministrat kanë theksuar se lidhur me çështjen e Asociacionit është arritur përparim gjatë bisedimeve, por ata nuk kanë dhënë ndonjë sqarim se në ç’masë është ai përparim.

Për më tepër, të dy kryeministrat kanë theksuar se janë marrë vesh që të mos ketë deklarata për medie lidhur me atë se në cilat pika është arritur pajtimi ose jo lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e ekzekutivit, ka theksuar se bisedimet do të vazhdojnë, por nuk ka ofruar detaje lidhur me këtë temë.

Jemi marrë vesh që të vazhdojmë kësaj të hëne, për arsye se dialogu është lënë të vazhdohet për të njëjtat tema dhe të mos dalim publikisht dhe të themi se kush çka i tha kujt, sepse kjo nuk na ndihmon që ne të zhvillojmë një dialog konstruktiv”, ka deklaruar Mustafa .

Deklaratë të ngjashme, lidhur me çështjen e Asociacionit, pati dhënë edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, menjëherë pas takimit të 23 qershorit.

“Disa çështje të rëndësishme kemi arritur t’i zgjidhim, por për këtë nuk mund të flas dhe marrëveshja është që për to të mos flasim në publik”, pati theksuar Vuçiq.

Megjithatë, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, në një intervistë dhënë medieve vendore, e cila është publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, ka theksuar se në takimin e 23 qershorit “është arritur përparim i rëndësishëm edhe në çështjet e ndjeshme si ajo e formimit të Asociacionit të Komunave”.

“Mund të themi se e kemi çimentuar qëndrimin tonë se Asociacioni duhet të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me Ligjin për qeverisje lokale të Republikës së Kosovës, si dhe dokumentet tjera relevante evropiane për qeverisjen lokale”, ka theksuar zëvendëskryeministri Thaçi.

Në anën tjetër, Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së veriut, i cili ka qenë i pranishëm së fundmi në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja për të mos diskutuar në publik lidhur me atë që është biseduar në Bruksel, është shkelur nga zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

“Kësaj marrëveshje i përmbahet vetëm kryeministri Vuçiq, ndërkaq që zoti Thaçi e ka shkelur këtë marrëveshje. Ai ka dalë në opinion me disa deklarata, për të cilat me përgjegjësi mund të them se nuk janë të sakta”, thotë Rakiq.

Ai shton se nuk mund të flasë për atë se për cilat çështje janë arritur përafrime të qëndrimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, lidhur me çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, sipas tij, pritjet e serbëve të Kosovës që ky asociacion të ketë edhe pushtet mbi disa segmente, janë reale.

“Unë pres që kjo Bashkësi të ketë pushtet konkret. Normalisht, ne nuk kërkojmë kompetenca që prekin diçka që nuk është ingerencë e një komune. Pra, kërkojmë kompetenca konkrete për sa i përket planifikimit hapësinor, arsimit, shëndetësisë. Do të thotë, bashkëpunimet lokale reciproke, të këtij lloji. Nuk kërkojmë asgjë më tepër dhe nuk po kërkojmë diçka të pamundur dhe të parealizueshme”, thekson Rakiq.

Në takimin e 29 qershorit, ndërmjet kryeministrave, Mustafa dhe Vuçiq, të ndërmjetësuar nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pritet të vazhdojnë bisedimet për temat, për të cilat tashmë është diskutuar, siç janë: krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, energjia, telekomi, dhe liria e lëvizjes.

Kryeministri Mustafa, pati theksuar se, në takimin e 29 qershorit në Bruksel, do të bëhen përpjekje për përmbylljen e disa marrëveshjeve. rel

Vuçiq: Duhen kompromise, por këtë duhet ta kuptojë edhe Prishtina

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se në Bruksel, në vazhdimin e dialogut me Prishtinën, pala beogradase udhëton me besim të mirë dhe shpreson në arritje të zgjidhjeve.

“Shkojmë në Bruksel me besim të mirë, shpresojmë në zgjidhje, por a do të arrihen ato, nuk varet çdoherë nga ne”, u tha sot gazetarëve Vuçiq.

Mëtutje ai ka theksuar se janë të nevojshme kompromiset.

“Kompromiset janë të nevojshme, por këtë duhet ta kuptoj edhe pala tjetër”, tha Vuçiq, duke shtuar se “nuk është i kënaqur për shkak të faktit se Prishtina i ka shkelur marrëveshjet, edhe ato të para shtatë ditëve, që për marrëveshjet individuale të mos flitet publikisht”.

Për nesër në Bruksel është paraparë edhe një takim i nivelit të kryeministrave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizim, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. rel

KOSOVA IMPORTON 80 PËR QIND TË MALLRAVE TË KONSUMIT TË PËRDITSHËM

VOAL – PRISHTINË – Pjesa dërmuese e të hyrave për arkën e buxhetit të shtetit të Kosovës vazhdon të mblidhet nga Doganat, kjo pasi Kosova vazhdon të importojë mbi 80 për qind të produkteve konsumuese.

Por, me rastin e rritjes së nivelit të integrimit të Kosovës në mekanizmat evropianë, këto të hyra do të zvogëlohen dhe disa prej tyre, madje edhe do të eliminohen.

Megjithatë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike dhe atyre doganore, hendeku që do të krijohet sa i përket taksës doganore që është 10 për qind për importin e produkteve nga Bashkimi Evropian, nuk do të ketë efekte të mëdha.

“Efektet e saj nuk do të jenë jashtëzakonisht të mëdha. Sipas disa përllogaritje që janë bërë, janë 25 milionë euro në vit, e ato do të mbulohen përmes investimeve, të cilat do t’i bëjë Bashkimi Evropian nëpërmjet instrumenteve të para-anëtarësimit dhe nëpërmjet tyre do të bëhet kompensimi i atyre ‘humbjeve’ që do t’i pësojë arka e buxhetit të shtetit të Kosovës”.

“Ne, si shoqëri dhe si ekonomi, nuk duhet t’u frikësohemi integrimeve evropiane se vetëm ato gjenerojnë zhvillim”, thotë për Radion Evropa e Lirë, eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi.

Pjesa dërmuese e të hyrave për arkën e buxhetit të shtetit të Kosovës, të cilat grumbullohen në pikat kufitare, nuk janë vetëm taksë doganore, shumica prej tyre janë Tatim mbi Vlerën e Shtuar në import dhe akciza.

Të gjitha këto taksa, sqaron Gashi, do të mbeten edhe pasi Kosova të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe pasi që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, ish-drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbledhja e të hyrave për arkën e shtetit nga Doganat, aktualisht, është mënyra e vetme.

“Realisht, kjo ka qenë zgjidhja e vetme. Në një rrethanë ku 80 për qind e asaj që ne e konsumojmë janë mallra nga importi, nuk ka pasur një zgjidhje tjetër vetëm se të bëhet kjo. Gjithsesi, kjo ka qenë më e lehtë sepse shtrirja apo mbledhja e tatimeve në brendi, është shumë më e komplikuar sesa ajo që bëhet nga autoriteti doganor në kufi”, sqaron Huruglica.

Por, sipas Huruglicës, gradualisht duhet të ketë një shtrirje tatimore në brendi dhe jo shteti të varet aq shumë nga të hyrat që futen në kufi.

Fuqizimi i Administratës Tatimore të Kosovës, shton Huruglica, është thelbi i një shtrirje më të mirë të kontrollit tatimor.

Duhet të gjendet një mundësi që përmes masave stimuluese të nxitet zhvillimi ekonomik i vendit, punësimi dhe duke i nxitur këto, gradualisht do të krijohet një bazë më e mirë tatimore në brendi. Po ashtu, duhet të luftohet informaliteti, sepse vlerësohet se ka informalitet në brendi nga shërbimet ose nga veprimtaritë e caktuara, ku nuk paguhen tatimet e mjaftueshme”, thekson Huruglica.

Edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thekson faktin se Kosova duhet të investojë në kapacitetet prodhuese dhe shërbyese, që të jetë konkurrente fillimisht me rajonin dhe pastaj me vendet tjera të Bashkimit Evropian.

“Ne mund të jemi konkurrent me prodhime bujqësore, ne mund të jemi konkurrent me prodhimin e energjisë elektrike, pasi  kemi kapacitete të mëdha, mund të jemi konkurrent me miniera dhe minerale dhe ne duhet ta gjejmë atë sektor ekonomik ku nuk është konkurrenca e ashpër nga vendet e Bashkimit Evropian”, shton Gashi.

Buxheti i Kosovës, i cili mbushet nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës për vitin 2015 është 1.5 miliardë euro.

A po lëkundet toleranca ndërfetare në Kosovë

Ndryshku ka shlyer shkronjat e mbiemrit dhe vitin e rënies në kryqin e varrit të dëshmorit Gjokë Ndrecaj. Ende shihet emri dhe viti i lindjes shkruar me të bardhë në pjesën e sipërme vertikale dhe të djathtën horizontale të simbolit të sakrificës të të krishterëve.

Tri herë janë zhvarrosur eshtrat e të rënit nga Biteshi i Gjakovës para se të varroseshin pranë bashkëluftëtarit Shaban Ukë Sejfijaj, nga Gramaqeli i Deçanit.

“Kanë qenë si vëllezër edhe në luftë. Shqiptarë”, thekson babai i Shabanit, Ukë Sejfijaj, para varreve të ushtarëve të shtabit të Gramaqelit. Në homazhe i janë bashkuar të mërkurën edhe shtatë burrat e Ndrecajve, të gjithë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë dy vëllezërit Martin e Mark, si dhe nipin Pal Ndrecaj të Gjokës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjoka ishte plagosur para shtëpisë së Ukës. “E kanë zënë të plagosur në xhami”, thekson Martini, në duart e të cilit ka dhënë shpirt Shabani, i plagosur nga një granatë në shkollën e fshatit.

“Te na kurrë nuk kemi pas kurrfarë dallimi, a është katolik a mysliman. Krejt shqiptarë”, thekson Uka. “Kemi hi e kemi dalë. Gjithmonë dyert çelë i kanë”.

Rrugës për te varrezat, Pali kujton një rast të para dy javësh kur një bashkëfshatar i krishterë “ka ikë” një vajzë myslimane nga Peja. “Por fill të nesërmen janë pajtu”, rrëfen Pali.

Rreziku prej “erërave të ndryshme”

Debati për tolerancën ndërfetare të shqiptarëve është rikthyer së fundi me tone goxha të ashpra pas protestave të së hënës para Komunës së Drenasit, që rezultuan me pezullimin e punimeve për ngritjen e rrethojës në një hapësirë të shpronësuar për varreza të shqiptarëve të besimit katolik në Llapushnik, ku synohet të ngrihet një kishë.

Pos që i kontestohet ligjshmëria vendimit të Komunës për shpronësimin e këtij lokacioni, në Llapushnik, ky lokacion ka simbolikë, ngaqë 16 vjet më parë aty ishte zhvilluar një betejë, në të cilën pati të rënë. Ata që kundërshtojnë vendimin, thonë se nuk janë edhe kundër kishës.

Prandaj kanë kërkuar që për ngritjen e varrezave dhe të kishës të përcaktohet një hapësirë tjetër. Besimtarët katolikë e kanë pritur me frikë këtë. E kanë interpretuar si kërkesë për shpërnguljen e tyre. KMDLNJ-ja ka kërkuar hetim për shkelësit e lirive fetare në Llapushnik.

James Hooper: Dështimi i votës për Gjykatën dëmton rëndë marrëdhëniet me SHBA

Një ekspert i çështjeve të Ballkanit thotë se dështimi i miratimit të legjislacionit për Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte në Kosovë, dëmton rëndë marrëdhëniet dyplaëshe me Shetet e Bashkuara. James Hooper, Drejtor Menaxhues i Grupit për të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe Politikat, i tha dje në një intervistë Zërit të Amerikës se hapat e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik rrezikohen nga ky dështim. Ai i tha koleges Keida Kostreci se shpreson që Kosova të gjejë një mënyrë për ta votuar përsëri legjislacionin, pasi sipas tij në të kundërt do të fillonte destabilizimi i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, sot parlamenti i Kosovës nuk arriti të miratojë legjislacionin për ndryshimet kushtetuese që do të bënin të mundur ngritjen e Gjykatës së Posaçme për Krimet e Luftës. Çfarë do të thotë kjo, sipas mendimit tuaj?

James Hooper: Kjo i dëmton rëndë marrëdhëniet dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Mendoj se kjo është shumë serioze dhe shpresoj që tani të mbizotërojnë mendjet më të ftohta. E kuptoj që ishte një vendim jashtëzakonisht i vështirë që u duhej të merrnin kosovarët dhe nuk dua ta minimizoj. Ishte një nga vendimet më të rëndësishme që u është dashur të merrnin që kur mbaroi lufta në vitin 1999, sepse gjykata është konsideruar nga shumë vetë në Kosovë si një proces që ngre pyetje për legjitimitetin e luftës, legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo ka shkaktuar një ankth dhe pakënaqësi të konsiderueshme mes ish-anëtarëve të UÇK-së dhe mes qytetarëve të Kosovës në përgjithësi, të cilët e kanë parë këtë si një kërcënim për të ardhmen e tyre, që vë në pikëpytje legjitimitetin e të qenurit shtet. Ajo që mund të them është se Kosova ka ndërmarrë kaq shumë hapa pozitivë, si fitorja e luftës me NATO-n si partnere në vitin 1999, shpallja e pavarësisë, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare. Gjatë gjithë këtyre hapave Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithnjë në krah të Kosovës.  Është bindja ime që Kosova ka grumbulluar shumë kapital përsa i takon vullnetit të mirë nga komuniteti ndërkombëtar. Mund të thuhet që kjo u konsolidua nga marrëveshja e para dy viteve në Bruksel mes Serbisë dhe Kosovës që krijoi mundësinë për hedhjen e hapave përpara. E gjithë kjo e ka vënë Kosovën në një situatë që nuk i duhet të shqetësohet për lirinë e tyre, për pavarësinë e tyre, nuk kërcënohet nga ndonjë sulm, që mund të përqendrohen tani tek ndërtimi i vendit, i shoqërisë së tyre, zgjidhja e problemeve të shoqërisë. Por kjo (ky vendim) do të ishte një kthim prapa, sepse e kthen debatin – dhe mendoj në një mënyrë emocionale për Kosovën – tek legjitimiteti i saj si shtet tek pavarësia dhe (shqiptarët e Kosovës) do të kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në gjithë rajonin për këtë çështje.

Unë u befasova vërtet që me gjithë inkurajimin që Shtetet e Bashkuara i dhanë Kosovës për ta ndihmuar që të arrinte të merrte një vendim që gjithkush në Uashington e kuptonte sesa i vështirë ishte, pra pavarësisht nga kjo Asambleja nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej dy të tretash.

Zëri i Amerikës: Në këtë pikë, a mendoni se mund të bëhet diçka për të ndryshuar vendimin e sotëm dhe cili do të ishte sugjerimi juaj?

James Hooper: Nuk besoj se është vonë. Ky nuk duhet të jetë votimi i fundit dhe përfundimtar për këtë çështje i banorëve të Kosovës përmes deputetëve që i përfaqësojnë. Unë do t’u bëja thirrja autoriteteve të gjejnë një mënyrë për të patur një votim të ri. Të mos nxitohen, ta shqyrtojnë edhe një herë situatën, të analizojnë dëmin që do t’i shkatonin marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Ky votim në këtë formë, do t’u shkaktonte dëm serioz marrëdhënieve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara në se nuk do të korrigjohej. Kosova duhet të gjejë një rrugë, të gjejë një zgjidhje që Gjykata të krijohet dhe në të njejtën kohë të ruhen marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Nuk dua në asnjë mënyrë të minimizoj rrezikun që vendimi i së premtes përmban për marrëdhëniet e Shteteteve të Bashkuara me Kosovën. Ky ishte një vendim serioz që do të shkaktonte dëme të mëdha.

Zëri i Amerikës: Më konkretisht, cilat mendoni se do të jenë pasojat jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe me Uashingtonin, por edhe me kryeqytetet evropiane që e kanë mbështetur Kosovën dhe tek e ardhmja e saj?

James Hooper: Dhe sidomos Gjermania, mes vendeve mike evropiane. Gjermania ka ndërmarrë përpjekje serioze dhe të vazhdueshme, për të ndërmjetësuar marrëdhënie më të mira mes Serbisë dhe Kosovës, që marrëveshja për Veriun të zbatohet në mënyrë konstruktive dhe për të inkurajuar Serbinë të pranojë hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara, gjë që unë mendoj se është diçka me rëndësi kritike që duhet të ndodhë. Nëse ky votim do të lejohet të qëndrojë në fuqi, kjo do të ishte një hap i madh prapa për marrëdhëniet me Evropën, pa folur për SHBA. Siç e kam përmendur, ky do të ishte një hap prapa në marrëdhëniet me SHBA, do të ishte një humbje e besimit në këto marrëdhënie dhe sidomos në Kongres. Do të ishte më e vështirë për miqtë e Kosovës në Kongres ta mbështesnin atë me të njëjtën forcë si në të kaluarën. Por në Evropë, kjo do të dëmtonte përpjekjet për ta sjellë Kosovën më afër Bashkimit Evropian dhe për të krijuar shtegun drejt anëtarësimit. Është gjithashtu një hap prapa për marrëdhëniet e Kosovës në përpjekjet për të hyrë në NATO, gjë që mendoj se ka rëndësi kritike. Prandaj mendoj se për hir të marrëdhënieve të Kosovës me SHBA dhe me Evropën, për hir të së ardhmes së saj në NATO dhe në BE, është e nevojshme që ajo të ndërmarrë një votim të ri dhe ta miratojë ligjin.

Zëri i Amerikës: Alternativa tjetër, për të cilën Kosova ishte paralajmëruar që të mos ta lejonte të ndodhte, është ngritja e një gjykate të tillë nga Këshilli i Sigurimit, sipas një propozimi rus. Çfarë do të thoshte kjo – nëse nuk zgjidhet çështja e alternatives që dështoi dje – dhe alternativa e Këshillit të Sigurimit mbetet e vetmja mbi tryezë?

James Hooper: Ky do të ishte një skenar edhe më i keq se sa ta miratonin krijimin e gjykatës. Kjo do të thotë në fakt që Shtetet e Bashkuara të bëhen partnere me Rusinë për një Gjykatë të krijuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, që nuk do të shihej si legjitim nga banorët e Kosovës. Ndërsa Gjykata  që do të krijohej nga vetë parlamenti, do të gëzonte mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara duke u siguruar që ajo do të ishte një gjykatë e drejtë përsa u përket procedurave dhe jo një gjykatë politike. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të besohen për këtë. Ndërsa krijimi i gjykatës nga Këshilli i Sigurimit do të ishte fillimi i një procesi që shënon kthim pas, ku gjerat përkeqësoshen dhe alternativat për Kosovën do të keqësohen. Në se kjo Gjykatë, që mbështetet nga Shtetet e Bashskuara nuk pranohet, si do ta shikonin kosovarët gjykatën e mbështetur nga Këshilli i Sigurimit….

Zëri i Amerikës: Ndoshta ata nuk duan krijimin e asnjë gjykate, por ç’do të ndodhte në se Gjykata krijohet pa dëshirën e tyre (Kosovës)?

James Hooper: Në se Gjykata nuk miratohet, në se kosovarët këmbëngulin që të mos pranojnë asnjë gjykatë,  as atë të tanishmen, as atë të Këshillit të Sigurimit, e cila po ashtu do të mbështetej nga Shtetet e Bashkuara por në të cilion Shtetet e Bashkuara nuk do të luanin dot më një rol konstruktiv, pasi kur gjerat kalojnë në Këshillin e Sigurimit,  ka edhe aktorë të tjerë të përfshirë, sidomos Rusia, kjo do të shënonte kthim pas për Kosovën dhe në vend që të gjendeshin forma për t’i çuar përpara marrëdhëniet me Evropën, me NATO-n, forcimin e ekonomisë, atëhere do të kishim një skenar kur lufta për pavarësinë do të hynte në kanale ligjore, emocionet do të shtoheshin, njerëzit do të kërkonin gjeste simbolike, vendime simbolike, do ta vishnin veten me flamur, nacionalizmi do të shtohej në Kosovë dhe në situata të tilla, nuk ka ecje përpara, ka kthim pas. Në se situata nuk ndryshon unë shoh fillimin e destabilizimit të Kosovës. Dhe kjo do të ishte një pasojë shumë serioze.

Vrasja pa gjyq e Ramiz Hoxhës dhe arrestimi i aktivistëve të LDK-së

Ramiz Hoxha është ekzekutuar pa gjyq “në emër të popullit”. Fletekzekutimi i tij është shkruar me dorë, shkruan sot Koha Ditore. Përgjegjësinë e ka marrë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Drejtoria e Shërbimit të Policisë Sekrete, në emër të popullit shpall këtë fletekzekutim: për shkak të bashkëpunimit me okupatorin, ndjelljes së frikës, panikës dhe urrejtjes, në emër të popullit shqiptar dhe në emër të luftës tonë çlirimtare dënohet me vdekje Ramiz Hoxha – Bellanicë si tradhtar i kombit. Fati i tillë do t’i pret çdo tradhtar tjetër”, shkruan në fletekzekutimin që i jepte fund jetës së Ramiz Hoxhës më 2 tetor 1998.

I ndjeri ishte arrestuar në xhaminë e fshatit të tij në Bellanicë nga persona të maskuar dhe me uniforma të UÇK-së. Ishte dërguar në një vend tjetër dhe ishte ekzekutuar si bashkëpunëtor i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dega në Malishevë, Jakup Kastrati, dhe i nënkryetarit Cenë Desku.

Pak ditë më vonë ishin arrestuar edhe këta dy aktivistë të LDK-së.


Send this to a friend