Konfirmon Muçolli i LDK-së: Ideja e Muhaxherit dhe e të tjerëve, për përjashtimin e deputetëve, vetëvrasje politike
Kryetari i Degës së IV-të të LDK-së në Prishtinë, Halim Muçolli ka konfirmuar raportimet e djeshme të Gazetës Blic, që në mbledhjen e djeshme Isa Mustafës me kryetarët e partie, Gazmend Muhaxheri, i mbështetur edhe nga dy kryetar të degëve tjera, Luan Gola e Fadil Gashi kishin kërkuar përjashtimin e deputetëve që nuk morën pjesë në seancën për zgjedhjen e Hashim Thaçit president. “Uroj që qëndrimi i Muhaxherit, Golës dhe Gashit të ketë qenë reagim çasti dhe jo mënyrë e tyre e të menduarit dhe vepruarit politik. Ata, më mirë se të gjithë ne të tjerët, duhet ta dinë rëndësinë e qasjes integruese dhe jo përjashtuese”, ka thënë ai në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic.
Sipas kryetarit të Degës së IV-të të LDK-së në Prishtinë, marrja me vetveten me qëllimin e denigrimit të deputetëve që kanë përkrahje të konfirmuar në elektorat është vetëvrasje politike. Muçolli thotë se LDK është dëmtuar shumë më hyrjen në koalicion me PDK-në, derisa i ka vlerësuar lartë deputetët që nuk morën pjesë në seancën e zgjedhjes së Hashim Thaçit president.
“Kam respekt për grupin e deputetëve që nuk morën pjesë në seancë apo nuk votuan. Nuk ka qenë vendim i lehtë i tyre por në këtë rast ata i mbetën besnik premtimit ndaj elektoratit i cili edhe i dha legjitimitetin e deputetit”, thotë Muçolli. Ai ka edhe një kërkesë interesante për të gjithë zyrtarët e LDK-së. “Mendoj se duhet të vazhdojmë të shërbehemi me tolerancën politike dhe orientimin vërtetë perëndimor të Presidentit Rugova por duhet të lirohemi nga mënyra si e kemi keqpërdorur “rugovizmin”, thotë Muçolli.
Gazeta Blic: Z. Muçolli, lideri i LDK-së, Isa Mustafa zhvilloi dje një mbledhje me kryetarët e degëve të partisë. Çka u diskutua në këtë takim?
Halim Muçolli: Qëllimi i mbledhjes ishte vlerësimi i gjendjes politike pas seancës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Rrjedha e seancës, realizimi i marrëveshjes së koalicionit me PDK-në, qëndrimi i deputetëve të LDK-së, sulmet ndaj zyrave të LDK-së, disponimi i strukturave, anëtarësisë dhe elektoratit ishin temat që u diskutuan në mbledhje.
Gazeta Blic: Ne, gjatë ditës së djeshme kemi raportuar se Gazmend Muhaxheri, Fadil Gashi dhe Luan Gola mbështetën idenë për përjashtim nga partia të atyre deputetëve që nuk morën pjesë në seancë për zgjedhjen e Hashim Thaçit president. Kush e propozoi këtë ide, dhe kush e kundërshtoi?
Halim Muçolli: Ka qenë e pritshme që pashmangshëm të lakohen edhe emrat e deputetëve që munguan apo abstenuan në seancën e zgjedhjes së Presidentit. Por, kam pritur që më shumë t’i jepet hapësirë një analize përmbajtjesore të refleksioneve të zgjedhjes së Z. Thaçi në disponimin e elektoratit dhe qytetarëve. Uroj që qëndrimi i Muhaxherit, Golës dhe Gashit të ketë qenë reagim çasti dhe jo mënyrë e tyre e të menduarit dhe vepruarit politik.
Ata, më mirë se të gjithë ne të tjerët, duhet ta dinë rëndësinë e qasjes integruese dhe jo përjashtuese. Gazmend Muhaxheri, pikërisht me qasjen integruese dhe tejkalimin e dallimeve sociale, rajonale, të egove personale dhe përmes mobilizimit gjithëpërfshirës ka arritur ta kthej në pushtet LDK-në në Pejë. Edhe e kaluara e tij në një parti me sfond qytetar e demanton qëndrimin e tij të djeshëm. Në anën tjetër, Gjakova dhe Klina, një kohë kanë qenë bastione të LDK-së dhe qasja përjashtuese e Kryetarëve të këtyre Degëve nuk mund ta kthejë LDK-në në nivelin e mëparshëm.
Gazeta Blic: Si e konsideroni një ide të tillë, do t’i ndihmoj LDK-së, apo do ta dëmtoj?
Halim Muçolli: Natyrisht që e dëmton. Ne kemi nevojë që LDK-në ta bëjmë atraktive edhe për të tjerët që janë jashtë strukturës sonë aktuale. Marrja me vetveten me qëllimin e denigrimit të deputetëve që kanë përkrahje të konfirmuar në elektorat është vetëvrasje politike. Ne duhet t’i bëjmë analizë vetvetes me synimin që t’i sanojmë defektet. Gazeta Blic: Mësohet se në këtë mbledhje ju ishit një kritik i madh i mënyrës se si po i udhëheqin dikasteret e ndryshme ministrat e LDK-së. Madje, mësohet se jeni përplasur me Isa Mustafën për çështje konceptuale.
Pse jeni i pakënaqur me këto zhvillime?
Halim Muçolli: Unë kam tentuar t’i bëj një analizë reale gjendjes politike dhe të shpreh disponimin real të anëtarësisë, elektoratit dhe opinionit publik. Unë gjithmonë insistoj ta vlerësojmë veten me të gjitha të mirat dhe të këqijat. Gjetja e “armiqve” të brendshëm dhe të jashtëm konsideroj që nuk ndihmon në forcimin e partisë, përkundrazi. Edhe dje kam diskutuar në këtë frymë. Kam konsideruar se nuk ekziston një formë e drejtë e komunikimit Qendër – Bazë dhe se kjo i jep hapësirë Kryetarëve të Degëve që qëndrimet e tyre personale t’i paraqesin si të bazës. Unë vetëm kërkoj që qëndrimet e bazës të përcillen drejtë, pavarësisht çfarë janë ato. Kam shprehur mendimin se anëtarësia dhe elektorati, përmes reagimeve të tyre dëshmuan që nuk e kanë pranuar marrëveshjen e koalicionit edhe pas kësaj distance kohore dhe se argumentet e përdorura nga udhëheqja e partisë nuk i kanë bindur ata. Kam konstatuar që duhet të përmirësojmë marrëdhënien me publikun dhe cilësinë e këshilltarëve. Është konstatim tani i ditur që ne qëndrojmë keq në zonat urbane dhe na mungon përkrahja e moshave të reja dhe ideja ime është që na duhen njerëz të rijnë dhe me peshë politike që krijojnë opinion te këto grupmosha. Qëndrimi im për dhënien e përparësisë së interesit shtetëror para atij partiak është keqkuptuar si përkrahje e atyre që synojnë ndërrimin e pushtetit me dhunë. Përkundrazi, edhe pse nuk e kam thënë dje, unë mendoj që zgjidhja e bllokadës politike bëhet vetëm përmes dialogut politik dhe pa kushte. halim-mucolliGazeta
Blic: Sipas jush bën mirë, apo keq 5 deputetët e LDK-së që nuk morën pjesë në seancën e zgjedhjes së Hashim Thaçit president?
Halim Muçolli: Unë nuk i gjykoj deputetët që morën pjesë në votim në seancën e zgjedhje së Presidentit. Në rrethana e vende me demokraci të konsoliduar pjesëmarrja nuk do duhej të diskutohej. Ndoshta nuk e kuptoj plotësisht një numër të vogël të deputetëve që nuk e patën votuar Kryeministrin Mustafa dhe atë ditë morën pjesë në votimin për President. Por, kam respekt për grupin e deputetëve që nuk morën pjesë në seancë apo nuk votuan. Nuk ka qenë vendim i lehtë i tyre por në këtë rast ata i mbetën besnik premtimit ndaj elektoratit i cili edhe i dha legjitimitetin e deputetit. Mos të harrojmë, se në zgjedhjet e fundit elektorati jonë “ka dhezë” me premtimin tonë, madje të shndërruar në kauzë “Jo me PDK-në”. Tani çështja është se a kemi gabuar me këtë premtim dhe se a duhet të ketë vija të kuqe ndaj rivalëve politik.
Gazeta Blic: Si e vlerësoni punën e deritanishme të koalicionit PDK- LDK?
Halim Muçolli: Ky është koalicion i numrave dhe jo i vullnetit të dy partive. Kam pritur që dyshimet për suksesin e këtij koalicioni të demantohen përmes një performance të mirë të Qeverisë me theks në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe integrimet evropiane. Krijimi i një qeverie tepër të madhe ishte mesazh i keq.
Për më tepër mosmenaxhimi i mirë i marrëveshjeve dhe obligimeve ndërkombëtare në dialogun me Serbinë i përmbysi pritjet e qytetarëve. Fatkeqësisht, situata e krijuar politike pas marrëveshjeve të Asociacionit dhe Demarkacionit, dhuna e përdorur në Parlament dhe protestat e opozitës nuk po i lënë hapësirë të prezantohet puna e mirë e disa ministrave të LDK-së, si ai i Financave, Tregtisë dhe Industrisë, MPMS dhe asaj Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Gazeta Blic: A mendoni se hyrja në koalicion me PDK-në, e sidomos zgjedhja e Hashim Thaçit president, mund ta dëmtoj LDK-në?
Halim Muçolli: Disponimi momental është se ne jemi dëmtuar shumë nga koalicioni me PDK-në dhe zgjedhja e z. Thaçi për President. Kjo ka qenë e pritshme. Disponimi edhe mund të ndryshoj pavarësisht sfidave. LDK nuk duhet të jetë në skenën politike për shkak të PDK-së por për shkak të ofertës së vet. Duhet të mobilizohet krejt potenciali partiak, të ofrohen edhe të rinj që nuk janë pjesë e partive politike dhe duhet të riftohen ata që janë rritur në mënyrë organike në LDK dhe sidomos themeluesit. Mendoj se duhet të vazhdojmë të shërbehemi me tolerancën politike dhe orientimin vërtetë perëndimor të Presidentit Rugova por duhet të lirohemi nga mënyra si e kemi keqpërdorur “rugovizmin”.