VOAL

VOAL

Minatorët e Trepçës ndërpresin grevën

Minatorët e kombinatit metalurgjik Trepça kanë ndërprerë grevën, pas 10 ditësh.

Minatori Gani Osmani, që u pezullua përkohësisht nga puna gjatë grevës, tha se marrëveshja është arritur pak pas mesnatës, me disa deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Minatorët hynë në grevë më 24 tetor në kërkim të kushteve më të mira të punës.

Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale.

Minatorët nuk kanë sigurime shëndetësore, as jetësore dhe vazhdimisht kanë kërkuar t’i kenë të njëjtat.
Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, ajo është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Trepça pritet që t’i kalojë nën pronësi Fondit Sovran, që sipas Qeverisë së Kosovës, do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për të investuar në rritjen e vlerës së tyre.rel

Kurti pret ish-ministren greke, thotë se anëtarësimi i Kosovës në KiE është historik

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim raportuesen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis.

Ai në një postim në Facebook shkruan se takimi u mbajt tre muaj e gjysmë pas takimit të tyre në Kretë të Greqisë dhe 14 vjet pas vizitës së saj të fundit në Kosovë.

Postimi i plotë i Kurtit:

Kënaqësi ta mirëpres Raportuesen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis sot në kryeministri, tre muaj e gjysmë pas takimit tonë në Kretë të Greqisë dhe 14 vjet pas vizitës së saj të fundit në Kosovë.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është cak dhe proces historik për vendin tonë. Jemi të bindur që jemi në rrugën e duhur përveçse besojmë që e meritojmë të bëhemi shteti më i ri në organizatën më të vjetër ndërkombëtare të kontinentit.

Sot në Kuvendin e Kosovës, rezoluta e Parlamentit Europian për veriun

Prishtinë-  Kuvendi i Kosovës sot në një seancë të veçantë do të ketë në rend dite, miratimin e deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës po ashtu do  të bëj shqyrtimin e pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara, njofton RTK.

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 28 shtator, 4 dhe 26 tetor 2023 janë:

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësim dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 5 dhe 12 tetor 2023:

Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve, votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra.

Do të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës, raporton RTKlive.

Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 19 tetor 2023:

Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,

votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,

votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,

votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,

votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,

shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,

votimi në parim i Projekt Kodit nr.08/L-247 Doganor dhe i Akcizave,

shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-244 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare,

shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës,

shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022 dhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.

Sveçla thotë se policia gëzon “mbështetje të veçantë”, pas protestës së njësive speciale

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të mërkurën se Policia e Kosovës gëzon “mbështetje dhe fokus të veçantë”, pasi njësitë speciale policore protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës më herët gjatë ditës, duke kërkuar rritje të shtesave për rrezikshmërinë në punë.

Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive gjatë protestës në Prishtinë shpalosën disa kërkesa, si kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Në një reagim pas protestës në rrjetin social Facebook, Sveçla tha se të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot “janë mbi 2.200 euro”, pa dhënë ndonjë hollësi shtesë.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë”, shkroi Sveçla.

Por, një përfaqësues i njësive elite policore tha gjatë protestës së “ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesa e veçantë që e kemi gëzuar nga viti 2010, u ndalua e tëra”.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtesat për rrezikshmërinë në punë, të ndarë në shtatë kategori.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Këto shtesa, sipas ekzekutivit, do të aplikohen nga nëntori, pasi të hyjë në fuqi Ligji për Pagat.

Pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.

Policia e Kosovës është formuar 24 vjet më parë dhe numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.

Ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.rel

Serbët në veri: “Do ta marr pasaportën e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur”

Sandra Cvetkoviq

Në komunat me shumicë serbe në Kosovë është rritur kërkesa për pasaportën e Kosovës, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Interesi është veçanërisht i dukshëm në komunat në veri të vendit.

Në periudhën nga 1 janari 2023 deri më 30 korrik 2023, numri i kërkesave për pasaportë të Kosovës është rritur për 97% në Leposaviq krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Më shumë se 50% më shumë interesim është shënuar në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok.

Pse është rritur interesimi?

Disa pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë, të cilët janë intervistuar nga ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL), thonë se janë të interesuar të pajisen me pasaporta në mënyrë që nga 1 janari i vitit të ardhshëm të mund të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së që janë në zonën Shengen.

Një nga arsyet për një gjë të tillë, thonë ata, është se janë të përjashtuar nga regjimi pa viza të Serbisë, pra nuk munden dhe nuk do të mund të udhëtojnë në vendet e zonës Shengen me pasaportat e lëshuara nga Serbia.

Kështu, Jellena nga Graçanica, komunë e banuar me shumicë serbe afër Prishtinës, thotë se këtë javë do të shkojë të marrë pasaportën e Kosovës në mënyrë që të mund të udhëtojë lirshëm në vendet e zonës Shengen.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kjo njëzet e pesë vjeçare thotë se do të jetë pasaporta e saj e parë.

“Nuk më duhej deri tani, kur nuk mund të udhëtoja pa vizë dhe nuk kisha nerva të prisja në radhë para ambasadave”, thotë ajo.

Në prill të këtij viti, Parlamenti Evropian miratoi liberalizimin e vizave për Kosovën dhe kjo e rriti vlerën e pasaportës së Kosovës për disa pjesëtarë të komunitetit serb.

 

Në mesin e tyre është edhe Vllada nga Graçanica. Ai thotë se pasaportën e Kosovës e ka marrë rreth njëzet ditë më parë dhe shton se tashmë ka planifikuar një udhëtim në Portugali në mes të janarit të vitit të ardhshëm.

Edhe serbët e veriut “nuk kanë asgjë kundër” pasaportës së Kosovës

Mirjana nga Mitrovica e Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, nuk ka pasaportë të Kosovës, por shton se po mendon ta marrë një të tillë.

“Të jem e sinqertë, nëse kjo (pasaporta e Kosovës) e bën të mundur dhe e bën më të lehtë udhëtimin, pse jo? Të gjithë e dimë se me çfarë përballen qytetarët e Kosovës kur bëhet fjalë për udhëtime, ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese”, thotë Mirjana.

 

Serbët nga Kosova kanë të drejtën e pasaportës së Serbisë, e cila ka marrë liberalizimin e vizave në vitin 2009. Mirëpo, me kërkesë të BE-së, është dashur të formojë një Administratë Koordinuese për lëshimin e pasaportave për ata që kanë adresë në Kosovë.

Regjimi pa viza nuk vlen për pasaportat e tilla, pra serbët nga Kosova me pasaportë serbe nuk mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa vizë.

Po ashtu, në prill të këtij viti, KE-ja ka theksuar se liberalizimi i vizave i miratuar për Kosovën vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës dhe jo për ata qytetarë që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Për këtë arsye, Aleksandra nga Mitrovica Veriore planifikon të marrë pasaportën e Kosovës, në mënyrë që të mund të udhëtojë lirshëm nga 1 janari 2024.

“Mendoj se duhet ta bëj sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët ka bërë të ditur se janë duke punuar në gjetjen e zgjidhjes për ata pjesëtarë të komunitetit serb që nuk duan të marrin pasaportën e Kosovës.

“Ne kemi kohë deri më 1 janar për ta zgjidhur atë problem dhe besoj se do ta zgjidhim atë problem”, tha Vuçiq.

Kosova nuk i njeh pasaportat e Administratës Koordinuese të Serbisë sepse i konsideron ato të lëshuara nga “institucione paralele ilegale”.

Fushata e Qeverisë së Kosovës në zona serbe

Qeveria e Kosovës në fillim të tetorit ka nisur fushatën për liberalizimin e regjimit të vizave, në kuadër të së cilës qytetarët informohen se sa kohë mund të qëndrojnë në vendet e zonës Shengen, çfarë dokumentacioni u nevojitet, cilat janë pasojat nëse ata thyejnë rregullat, dhe të ngjashme.

Një fushatë e tillë është mbajtur edhe në Graçanicë më 24 tetor, ndërsa deri në mes të nëntorit duhet të mbahet edhe në komunat tjera me shumicë serbe, duke përfshirë edhe ato në veri të Kosovës.

Megjithatë, Zyra e Komisionarit për Gjuhët, që funksionon në kuadër të Kryeministrisë, ka paralajmëruar se gjatë kësaj fushate duhet respektuar dygjuhësia e plotë.

Përveç shqipes, në Kosovë është në përdorim zyrtar edhe gjuha serbe. Zyra e Komisionarit ka thënë se gjatë fushatës informuese për liberalizimin e vizave në Graçanicë është vendosur një billbord me informacione të përgjithshme vetëm në gjuhën shqipe.

Gëzim Dushi, zyrtar për media në Qeverinë e Kosovës, tha se fushata po zbatohet në gjithë territorin e Kosovës dhe se po shpërndahen fletushka në gjuhën serbe dhe angleze. Nuk specifikohet pse informacioni në billbord nuk është i shkruar në të dyja gjuhët zyrtare.

Dushi vlerësoi se njerëzit kryesisht ishin të informuar për rregullat e regjimit pa viza.

“Ajo që kemi vënë re te qytetarët është se ka një interesim të madh për të udhëtuar nëpër Evropë. Ata duan të marrin më shumë informacion, që të mos ketë pengesa apo ndalesa gjatë udhëtimit”, tha ai.

Rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave

Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë regjim vizash që nga dhjetori i vitit 2009 dhe Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina kaluan në të ashtuquajturën listë të bardhë Shengen në dhjetor të 2010-s.

Procesi i liberalizimit me Kosovën ka zgjatur më së shumti në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2018, Komisioni Evropian arriti në përfundimin se Kosova i plotësonte të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por disa shtete anëtare të BE-së e bllokuan procesin.

Më në fund, më 18 prill 2022, Parlamenti Evropian miratoi një vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën, me të cilin përfundoi të gjitha procedurat përkatëse të vendimmarrjes. Në përputhje me tekstin e dakorduar të vendimit, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e zonës Shengen nga 1 janari 2024.

Von der Leyen: Kosova ta pranojë Asociacionin, Serbia njohjen de facto

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përsëriti qëndrimin evropian se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Serbia të njohë de facto Kosovën.

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarja evropiane tha se draft-statuti i propozuar së fundi nga diplomatët evropianë, është në qendër të bisedimeve për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja ka vendosur më herët gjatë vitit ndaj Kosovës, pas rritjes së tensioneve.

“Ajo që kam biseduar me presidenten, dhe që do ta bisedoj edhe me kryeministrin është se çfarë mund të bëjmë për të hequr masat [ndëshkuese]. Këtu është çështja e draft-statutit në qendër të diskutimeve dhe praktikisht është një hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Është krucial dhe sigurisht që do të hapë derën për të pasur qasjen në planin e rritjes [së BE-së]. Po punojmë në këtë drejtim. Këtu na duhen të dyja palët të bëjnë pjesën e tyre, por është po ashtu kruciale që jo vetëm të ketë shtensionim të situatës por edhe të lëvizet në rrugën drejt BE-së”, tha von der Leyen.

Osmani ndërkaq tha se në takim me zyrtaren evropiane ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese, që BE-ja vendosi pas rritjes së tensioneve në veri në fund të majit.

Kosovës dhe Serbisë i është prezantuar një propozim për draft-statutin e Asociacionit, gjatë takimeve të diplomatëve ndërkombëtarë më 21 tetor. BE-ja ka thënë se ky propozim është një model evropian.

Më 26 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq, në Bruksel zhvilluan takime të ndara me zyrtarë të BE-së dhe me liderët e Francës, Italisë dhe Gjermanisë.

Kurti është shprehur se drafti i propozuar për Asociaconin është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ai po ashtu ka deklaruar se ka qenë i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për normalizimin e raporteve, por për këtë nuk është pajtuar Vuçiqi.

Vuçiq ndërkaq ka thënë se Serbia është e gatshme të respektojë Marrëveshjen drejt normalizimit – që palët arritën më herët gjatë vitit – por, vetëm pjesët që nuk përfshijnë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Sa i përket draft-statutit për Asociacionin, Osmani tha se ky dokument do t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk deshi të deklarojë nëse ajo mendon se është në përputhje me Kushtetutën.

“Në takimin e fundit në Bruksel [më 26 tetor], Kosova ka treguar gjithë gatishmërinë që të organizohet një proces i nënshkrimit, duke filluar me Marrëveshjen Bazë, sepse aty rregullohen shumica e gjërave, përfshirë edhe Aneksin [e zbatimit] dhe draftin e statutit”, tha Osmani.

“Vlerësimet e mia do t’i japë edhe me shkrim në momentin që ndodhin hapat e paraparë. Pra, në qoftë se kemi proces të nënshkrimit. Pastaj, kur të shkojë ky draft-statut në Gjykatën Kushtetuese, si presidente e Republikës do t’i dërgojë të gjitha komentet me shkrim, se cilat pjesë të atij drafti duhet të sqarohen që zbatimi të jetë në plotni me Kushtetutën tonë”, shtoi presidentja e Kosovës.

Ndërkaq, e pyetur nëse BE-ja do të vendosë kushtëzime apo sanksione ndaj Serbisë, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është deklaruar se nuk mund ta zbatojë plotësisht marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, von der Leyen tha se gjatë vizitës të martën në Beograd do të diskutojë për hapat drejt njohjes de facto të Beogradit për Prishtinën.

Zyrtarja e BE-së tha se blloku është i përkushtuar për anëtarësimin e Ballkanit Perënidimor. Megjithatë, ajo tha se të gjitha shtetet që duan të bëhen pjesë e BE-së, duhet të respektojnë parimin e fqinjësisë së mirë.

“Çështja kryesore e diskutimeve që kemi me shtetet e Ballkanit Perëndimor, sikurse me Kosovën dhe Serbinë, është se si mund të punojmë më ngushtë së bashku dhe sigurisht edhe anëtarësimi potencial në BE. Për këtë [anëtarësimit], parimet bazike, vlerat bazike duhet të respektohen dhe zbatohen. Prandaj është zgjedhja e një shteti që kur dëshiron të lëvizë përpara, me të gjitha efektet pozitive që ka në ekonomi dhe financim, në mundësi më të mëdha biznesi… pra, është zgjedhja sovrane e një shteti nëse dëshiron të ecë në rrugë me ne, apo zgjedh ndryshe. Parimi i BE-së është normalizimi i raporteve fqinjësore, i raporteve të mira fqinjësore”, tha shefja e KE-së.

Zyrtarja evropiane gjendet në turne ballkanik për të shpalosur planin e investimeve të BE-së për Ballkanin perëndimor. Ky plan i rritjes kap shifrën e 6 miliardë eurove, ku 2.1 milionë prej tyre janë në formë të granteve dhe 4 miliardë të tjera në formë të kredive.

Von der Leyen tha se blloku dëshiron që të ketë një përafrim ekonomik me tregjet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të ketë më shumë mundësi për kompanitë.

Duke folur për reformat në Kosovë, ajo tha se ka përparim, por që ende duhet punë në reforma në sektorë të ndryshëm, sikurse në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, në luftimin e korrupsionit dhe reformat në gjyqësor.

Para Prishtinës ajo qëndroi në Shkup, ndërkaq turneun do ta vazhdojë në Podgoricë, Beograd dhe Sarajevë.rel

Kurti do të raportojë në Kuvend rreth propozimit për Asociacionin

Me kërkesë të partive opozitare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 3 nëntor do të raportojë para Kuvendit të Kosovës për dialogun me Serbinë, veçmas për draft-statutin e propozuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, shefat e Grupeve Parlamentare të subjekteve opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thanë se Kurti e ka obligim ligjor të raportojë pas takimeve që ka zhvilluar në Bruksel më 26 tetor me krerët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Pas takimeve të ndara të Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me liderët evropianë, kryeministri kosovar tha se ka pranuar propozimin për Asociacionin dhe ka qenë i gatshëm të nënshkruajë marrëveshje për normalizim të raporteve, por kjo është kundërshtuar nga lideri serb.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se gjatë raportimit, Kurti duhet të njoftojë se për çfarë saktësisht është pajtuar dhe si do të dukej një Asociacion në bazë të propozimit evropian.

“Është shumë e rëndësishme që ta kuptojnë qytetarët dhe ne si përfaqësues të qytetarëve se për çfarë është pajtuar Qeveria e Kosovës, në këtë rast përmes kryeministrit, në cilat pika dhe si do të jetë ai lloj Asociacioni”, tha ai.

Kurti ka deklaruar se drafti i propozuar për Asociaconin është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Dokumenti nuk është bërë publik, me kërkesë të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, tha se në të kaluarën ka pasur kërkesa të tilla për mospublikimin e dokumenteve, por ai tha se pret që Kurti të vijë në Kuvend së bashku me dokumentin për Asociacionin, të cilin e ka pranuar.

“Gjithmonë nga ndërmjetësuesit janë bërë të njëjtat kërkesa. Por, në kohë të mëhershme kur negociuesit dhe bashkëbiseduesit nuk kanë bërë publike dokumentet, kryeministri i Kosovës i ka cilësuar si tradhti dhe tendencë për të fshehur akte të tradhtisë. Pra, nuk e dimë se çfarë ka në ato dokumente. Për ne është me rëndësi që në ato dokumente të kemi qasje si Kuvend i Republikës së Kosovës”, tha Gashi.

Propozimi, që sipas BE-së është një model evropian për statutin e Asociacionit, u është prezantuar Kosovës dhe Serbisë gjatë vizitës më 21 tetor në këto dy shtete të përfaqësuesve të BE-së, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së tha se raportimi i Kurtit për këtë çështje “është i rëndësishëm jo vetëm sa i përket transparencës, por edhe për t’i dhënë llogari Kuvendit”.

Përderisa përfaqësuesit e partive opozitare thanë se nuk e kanë parë dokumentin e prezantuar nga ndërkombëtarët, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, tha se është në dijeni me përmbajtjen e draftit.

“Ne si grup parlamentar jemi të informuar për përmbajtjen e draftit të parë, përkatësisht pikave kryesore që janë në përputhje me Kushtetutën, por gjithashtu [që ky dokument] nuk është versioni final. Do të thotë, kjo është një punë në proces. Nuk kemi të bëjmë me diçka të finalizuar ende. Ju e dini që nuk ka pasur nënshkrim të marrëveshjes në Bruksel”, tha Kusari-Lila.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se draft-statuti për Asociacionin nuk shkel “vijat e kuqe” të palëve, duke shtuar se ky nuk është elementi i vetëm që duhet të zbatohet, pasi që Serbia nuk ka zbatuar nene të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

Këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia e arritën më herët gjatë vitit. Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Një ditë pas takimeve në Bruksel, Franca, Gjermania dhe Italia i kërkuan Serbisë që të njohë de facto Kosovën dhe që Kosova të formojë Asociacionin.rel

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Dedaj, thirret si dëshmitar nga Gjykata Speciale

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, është ftuar si dëshmitar nga Gjykata Speciale. Lajmin e ka bërë me dije Dedaj nëpërmjet një postimi në “Facebook”.

Diplomati shkruan: Prishtinë, 30 tetor 2023. Sot udhëtoj për Hagë! Jam ftuar si dëshmitar në Hagë! Ndonëse viktimë e Serbisë, Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, përkundër vullnetit tim, më kanë ftuar dëshmitar në Hagë! Zoti e bekoftë Kosovën martire!”

Specialja bastis banesën e Blerim Shalës, ish-këshilltarit të Thaçit

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kryer disa bastisje në banesën e Blerim Shalës, ish-këshilltarit të ish-kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi.

Rastin e ka konfirmuar për KOHËN, avokati Artan Qerkini.

Ai ka thënë se bastisja ka qenë e shkurtër dhe se për shpalosjen e detajeve të tjera do të konsultohet gjatë ditës me Shalën, klientin e tij.

Lidhur me rastin, KOHA ka provuar ta kontaktojë edhe ZPS-në, por deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje.

Aktualisht bastisjet e Speciales janë duke vazhduar.

EULEX zbarkon dhe bastis shtëpinë e ish-shefit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës

Një makinë  e EULEX-it me mbishkrimin ZPS ka bastisur shtëpinë e ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smaka.

Nuk dihen ende detaje veç pamjeve të bastisjes, me gjasë me urdhër të Zyrës së Prokurorisë së Hagës, siç raporton Gazeta Express.

Avokati Artan Qerkini ka konfirmuar bastisjen, por pa dhënë arsye.

Haradinaj: Kosova ta zbatojë planin franko-gjerman, s’mund të jetë peng i destruktivitetit të Serbisë

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka kërkuar që Kosova “ta ndjekë kursin e saj euroatlantik dhe t’i përmbush obligimet e marra, duke zbatuar pa vonesë Planin Franko-Gjerman”, pavarësisht nga Serbia.

Haradinaj shkroi në Facebook se Kosova ka dëshmuar gjithnjë qasje properëndimore dhe konstruktive.

“Kosova në vazhdimësi ka dëshmuar se është pro vlerave perëndimore dhe euroatlantike dhe gjithnjë konstruktive në qasjen e saj për të arritur një marrëveshje përfundimtare për njohje të ndërsjellë me Serbinë”, shkroi Haradinaj.

“Serbia nga ana tjetër në vazhdimësi ka sabotuar përpjekjet për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje midis dy vendeve duke synuar ta rikthejë kohën e konflktit. Nuk ka asnjë dyshim se këtë kurs po e ndjek edhe sot”, shtoi ai.

Në këtë situatë, ai tha se Kosova duhet të vazhdojë me perspektivën e saj euroatlantike.

“Kosova në një situatë të tillë, pa e patur nevojën të dëshmojë sa e keqe është Serbia, duhet ta ndjek kursin e saj euroatlantik dhe t’i përmbush obligimet e marra, duke zbatuar pa vonesë Planin Franko-Gjerman. Kosova nuk mund të jetë peng i destruktivitetit të Serbisë, por të vazhdojë perspektivën e saj që është anëtarësimi në NATO dhe integrimi në BE”, shkroi ish-kryeministri.

Dita e gjashtë e grevës së minatorëve në Trepçë

Sot është dita e gjashtë prej kur minatorët e minierës me flotacion kanë hyrë në grevë. Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë teksa kërkojnë edhe sigurimin e kushteve të punës. Për këto kërkesa ata po kërkojnë garanci me shkrim.

“Po kërkesa jonë është që duhet ta kemi një siguri, duhet ta kemi një marrëveshje me shkrim dhe nuk kërkojmë asgjë më shumë, vetëm kërkesat tona ti përpilojmë me anë të një shkrese, me anë të një vendimi I cili na jep një lloj garancie që ne duhet të bazohemi në të ardhmen”, ka theksuar Ibrahim Jonuzi, kryetari i Sindikatës së Minatorëve.

Jonuzi dje tha se gjendja e e minatorëve është e rënduar dhe se për pesë ditë 24 persona kanë kërkuar ndihmë.

“Gjendja është shumë e rënduar. Dita e pestë e grevës dhe ka 24 persona që po kërkojnë ndihmë. Jo, me kryeshefin dhe bordin s’kemi pasur kontakt, por kemi zhvilluar një takim me të deleguarit nga qeveria”.

“Takimi me ta është zhvilluar sot. Ata veç e kanë dëgjuar zërin tonë, nuk mund të them që presim dicka”, tha ai.

Jonuzi bëri të ditur se politikanë të ndryshëm kanë dashur t’i vizitojnë minatorët grevistë, por s’i kanë lejuar që të hyjnë pasi s’kanë dashur që grevës t’i japin konotacion politik.syri.net

Qeveria prezanton shtesat e rrezikshmërisë për policët e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka prezantuar të premten shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Qeveria e ka ndarë shumën e shtesave në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve në Policinë e Kosovës.

“Shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e radhës të Qeverisë.

Ai ka thënë se shtesa prej 120 eurosh do të marrin njësitet operative K-9, dhe njësia për eksplozivët dhe deminim.

“Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, respektivisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë”.

Kurti ka thënë se ky vendim është marrë duke e pasur parasysh situatën e tensionuar në veri të Kosovës, dhe shtesat do të vazhdojë sa të jetë e nevojshme.

“Në të kaluarën, shtesat jo çdo herë reflektonin nevojën dhe meritën. Ato rëndom kishin shkaktuar pabarazi në mesin e policëve, ndërkaq ky propozimi ynë për kategorizim është bërë për në mënyrë të kujdesshme, që të mos shtresohen dallimet dhe të mos përsëriten defektet e mëhershme”.

Kurti ka thënë se shtesat do të aplikohen prej muajit nëntor, dhe pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Pagat, shtesat do të zbatohen në mënyrë retroaktive.

Deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, të cilës i përket Kurti, nuk kanë marrë pjesë në dy seanca të organizuara nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar një projektrezolutë për mbështetje financiare të Policisë së Kosovës.

Ai është hartuar gati tri javë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, ku grupe të armatosura sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.

E formuar 24 vjet më parë, Policia e Kosovës numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.

Ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë ditë më parë për Radion Evropa e Lirë se policët e Kosovës punojnë në kushte të rënda, me paga të ulëta e pa sigurime shëndetësore.

Sipas të dhënave të sindikatës që udhëheq Zeqiri, 2.200 pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë larguar nga ky institucion prej se është themeluar në vitin 1999.rel

Hovenier: FSK u tregua partner i besueshëm, shmangu provokimet më 24 shtator

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka folur në një organizim të FSK-së për atë që ka ndodhur në veri të Kosovës më 24 shtator.

Hovenier ka thënë se Ministria e Mbrojtjes ka demonstruar pjekuri profesionale atë ditë, duke ngritur reputacionin e tyre si partner i besueshëm duke shmangur provokimet që kanë mundur të rezultojnë me përshkallëzim të situatës ditën e sulmit në Banjskë.

“Dua ta përmend se gjatë sulmit të 24 shtatorit në sovranitetin e Kosovës nga një grup i armatosur paramilitar, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrja e Mbrojtjes kanë demonstruar pjekurinë profesionale dhe durimin e tyre duke lartësuar reputacionin e tyre si partner të besueshëm duke shmangur provokimet që kanë mundur të rezultojnë në përshkallëzim të mëtejmë”, ka thënë Hovenier.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës sot kanë mbajtur konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2023”./Express/

Konjufca: Plani perëndimor për Asociacionin në përputhje me Kushtetutën

VOA/Leonat Shehu

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha sot se propozimi i diplomatëve perëndimorë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që i është dorëzuar qeverisë së Kosovës, sipas tij, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk krijon një nivel të tretë pushteti.

“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes por vetëm një shikim sipërfaqësor, por është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha zoti ai

Zoti Konjufca tha se gjithsesi drafti final duhet të hartohet nga qeveria e Kosovës dhe ai nuk duhet të negociohet me Serbinë.

“Dallimi që unë mendoj që është esencial për Republikën e Kosovës dhe institucionet tona shtetërore ka të bëjë më faktin që për Asociacion nuk duhet të negociohet, nuk është asociacioni le të themi temë qendrore e negociatave me Serbinë”, tha zoti Konjufca.

Ai i bëri këto komente pak ditë pasi të dërguarit perëndimorë paraqiten në Prishtinë dhe Beograd një plan për zbatimin e marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër për të cilin pritet që nesër të diskutohet në Bruksel.

Zyrtarët evropianë i thanë të martën Zërit të Amerikës se pjesë e diskutimeve të Brukselit do të jetë edhe “një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç pritet të takohen të enjten ndaras me presidentin francez, kancelarin gjerman, kryeministren italiane dhe udhëheqës të Bashkimit Evropian, për të diskutuar mënyrat për të zbatuar marrëveshjen e arritur në fillim të këtij viti në Bruksel dhe Ohër.

“Presim nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, që menjëherë dhe pa kushte t’i kthehen përmbushjes së detyrimeve nga dialogu dhe shtensionimit të situatës”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, duke nënvizuar se nuk do të ketë takim të nivelit të lartë mes palëve nesër në Bruksel.

Qeveria e Kosovës tha të mërkurën se “kryeministri Albin Kurti ka shprehur dakordimin e tij që plani i paraqitur nga diplomatët, për të cilin nuk janë dhënë hollësi, të jetë kuadri i vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, që do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”.

Diplomatët shpresojnë që të arrihet një përparim deri në takimin udhëheqësve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që fillon të enjten pasdite.

Shtimi i trysnisë perëndimore për zbatimin e marrëveshjes pasoi sulmin e 24 shtatorit kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie. Tre sulmues u vranë gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon.

Diplomatët perëndimorë thonë se 24 shtatori dëshmoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

‘Ofruan një plan të ri’: Qeveria e Kosovës njofton se çfarë iu kërkoi ndërmjetësve të BE dhe SHBA

Deklaratë e Qeverisë së Kosovës pas takimit me të Dërguarit e BE dhe të SHBA mbi tensionet me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Prishtinë – Kryeministri Albin Kurti priti në takim emisarët Lajçak e Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne, si dhe zëvendës këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Alessandro Cattaneo.

Kryeministri i falënderoi për vizitën e përbashkët. Ai theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje.

Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars).

Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re.

Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht.
ImageImage

Lajçak: Deeskalimi dhe normalizimi më urgjente se kurrë, kushtet dhe vonesat të papranueshme

Pesëshja diplomatike perëndimore që pritet të kryejë vizita në Prishtinë dhe Beograd. Nisur prej djathtas: Gabriel Escobar, Jens Plotner, Mirosllav Lajçak, Emmanuel Bonne, dhe Francesco Talo.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë të shtunën se deeskalimi i gjendjes dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.

Duke folur pas një takimi të pesë diplomatëve të Perëndimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, Lajçak tha se “çfarëdo kushti, apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme”.

“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajcak duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Ai theksoi se Kurti, si kryeministër i Kosovës, “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian”.

“Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës” paralajmëroi Lajçak.

Pesë diplomatë të Perëndimit nisë më 21 tetor vizitat në Kosovë dhe Serbi, me një qëllim kryesor – ringjalljen e dialogut mes dy vendeve.

Kështu i ka arsyetuar Bashkimi Evropian vizitat e të dërguarit të tij për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Francesco Talo, në Prishtinë e Beograd.

Autoritetet në Beograd kanë thënë se takimet në kryeqytetin serb do të nisin në orën 14:00.

Burimet diplomatike në Bruksel, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel.

Një muaj më vonë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është arritur pajtueshmëri për aneksin e zbatimit të saj.

Në një samit të mbajtur më 20 tetor mes SHBA-së dhe BE-së në Uashington, palët kanë bërë thirrje për zbatim të “shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që dy vendet t’i kthehen dialogut.

“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, është thënë mes tjerash në deklaratën e miratuar.

Por, pas zhvillimeve në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjërat më nuk mund të jenë njësoj sa i përket rrjedhës së dialogut.

Më 24 shtator, në Banjskë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, si pasojë e sulmeve të një grupi të armatosur serb.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit, mes policisë dhe atij grupi, janë vrarë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili më pas ka hequr dorë nga të gjitha funksionet e partisë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova është në kërkim të ekstradimit të Radoiçiqit nga Serbia.

Kosova e fajëson Serbinë për sulmin e 24 shtatorit, por ajo i hedh poshtë të gjitha pretendimet.

Çfarë kërkon Kosova?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 tetor se nuk mund të ketë normalizim të raporteve me Serbinë, pa pasur siguri në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun mes dy vendeve, Besnik Bislimi, ka thënë se fillimisht duhet të hiqen masat ndaj Kosovës, dhe Serbisë nuk duhet t’i lejohet të bëjë agresion përsëri në Kosovë.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës muaj më parë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.

Kërkesën e Kosovës për vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë e ka bërë edhe Parlamenti Evropian, i cili përmes një rezolute të miratuar më 19 tetor, ka kërkuar që Beogradi të përballet me pasoja nëse vërtetohet një lidhje e drejtpërdrejtë e Serbisë me sulmin në Banjskë.

Çfarë kërkohet nga dy vendet?

Burimet në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se pritjet e diplomatëve janë që Kosovës t’i kërkohet që ta gjejë një rrugë për “organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri” dhe zotimin për nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund ta rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Nga Serbia besohet se do të kërkohet që të distancohet nga secili veprim që mund ta destabilizojë veriun e Kosovës dhe që po ashtu t’i zbatojë marrëveshjet të cilat janë arritur më herët në dialog.

Marrëveshja për normalizim – kyçe

Diplomatët perëndimorë e kanë përmendur disa herë se zbatimi i Marrëveshjes së arritur më 27 shkurt në Bruksel është hap kyç për rrugën përpara drejt integrimeve evropiane.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

“Do të ketë propozime interesante”

Ditë më parë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë për televizionin N1 në Serbi se në takimet e 21 tetorit, Kosovës dhe Serbisë do t’iu bëhen “propozime interesante”, pa dhënë më shumë hollësi.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Vetëm kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq janë takuar tetë herë në kuadër të këtij dialogu, prej vitit 2021, por të gjitha takimet kanë përfunduar pa nënshkrim të ndonjë marrëveshjeje.

Vizat e Kosovës, KE: Liberalizimi hyn në fuqi më 1 janar 2024, një shtet s’mund të vendosë pezullimin

Komisioni Europian nuk ka pranuar të bëjë komente mbi deklaratën e bërë nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Tiranë, por ka theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi në fillim të vitit që vjen.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024 dhe do t’i lejojë ata që të udhëtojnë brenda hapësirës së Bashkimit Europian për 90 ditë.”
Kështu është përgjigjur zëdhënësja e Komisionit Europian për Punët e Brendshme, Anitta Hiper, pasi është pyetur nëse Franca ka propozuar pezullimin e liberalizimit të vizave të Kosovës.

Përpos kësaj, në përgjigjen e tij, Komisioni Europian sqaron se një shtet i vetëm nuk mund të vendosë që të pezullojnë një regjim të lëvizjes pa viza pasi ky i fundit është vendosur.

Vendime të tilla, siç sqaron KE, mund të merren vetëm në nivel të BE-së, duke u bazuar në rregullat e unionit për dhënien apo pezullimin e regjimeve pa viza.

“Ne jemi në kontakt me të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Euopian dhe nuk bëjmë komente mbi komentet. Në prill 2023, Parlamenti Europian dhe Këshilli adoptuan rregulloren 2023/850 të (BE), duke u hequr mbajtësve të Pasaportës së Kosovës, regjimin e vizave. Liberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës do të hyjë në fuqi në 1 janar të vitit 2024. Do t’ u lejojë qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë në hapësirën e Bashkimit Europian pa viza për 90 ditë në çdo periudhë kohore prej 18 ditësh.

Komisioni ka vlerësuar që nga korriku 2018 se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Kosova ka punuar vazhdimisht për të përmbushur standardet. Shtete të veçanta anëtare nuk mund të vendosin të pezullojnë një regjim pa viza. Rregullat në lidhje me dhënien, pezullimin ose përfundimin e përjashtimeve të vizave janë plotësisht të harmonizuara në nivel të BE-së dhe kërkojnë vendime në nivel të BE-së, ka deklaruar për A2CNN Anitta Hiper, zëdhënësja e Komisionit Europian për Punët e Brendshme.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

Zbatimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti francez tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën. Ai tha se është “përgjegjësi e [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi”. Presidenti francez iu referua sulmeve të 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur.

“Në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, tha Macron.

Nga fikja e dritave te protesta, çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Shqipërisë dhe pse u kthye në arenë ‘beteje’

Salla e seancave plenare këtë të enjte u shndërrua në arenën e protestës së PD sidomos të deputetëve që mbështesin Sali Berishën. Demokratët kishin një strategji të qartë. Një orë para nisjes së punimeve të seancës ata mbërritën në Kuvend.

Menjëherë zunë vendin ku ulet kryetarja e Kuvendit, karriget e ministrave, dhe hoqën kartat nga ulëset e deputetëve, me qëllim pengimin e zhvillimit normal të seancës plenare. Përmes transmetimit live në rrjetin social Facebook, Sali Berisha dha mesazhin se ky ishte vetëm fillimi i betejës.

Deputetët socialistë mbërritën në Kuvend, por në kushtet e kaosit ishte i pamundur zhvillimi i seancës. Për opozitën, Kuvendi me vendime politike kërkon asgjesimin e të drejtave të opozitës.

Me të dalë deputetët e maxhoranës, administrata e Kuvendit shkëputi ndriçimin në sallën e seancave, por opozitarët vijuan të qëndronin në errësirë, me fjalime e këngë patriotike. Për opozitën kjo është nisja e rezistencës ndaj mazhorancës që i refuzon sipas tyre çdo të drejtë kushtetuese.bw

KFOR njofton ardhjen e qindrave ushtarëve britanikë dhe rumunë në Kosovë, rritet prania e trupave në kufi me Serbinë

Misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se një kontingjent prej 200 ushtarësh britanikë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit dhe më shumë se 130 trupa shtesë nga Rumania kanë arritur në Kosovë dhe iu bashkuan kontingjentit të Britanisë së Madhe.

Tashmë në Kosovë kanë dislokuar 400 trupa shtesë të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

“Dislokimi vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon për të përmirësuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe patrullimin përgjatë vijës kufitare administrative”, thuhet në njoftimin e KFOR-it, transmeton Telegrafi.

Sipas KFOR-it, shtimi i trupave të KFOR-it “bazohet në një kërkesë të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s në Evropë dhe u miratua nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut si një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”.

“NATO ka udhëhequr një operacion paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999 në përputhje me mandatin e saj sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

KFOR-i aktualisht përbëhet nga mbi 4.500 trupa të kontribuar nga 27 aleatë dhe partnerë të NATO-s.

Ambasadori francez: Liberalizimi i vizave për Kosovën është në fuqi, fillon më 1 janar 2024

Prishtinë – “Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka dashur të japë një mesazh politik për Kosovën dhe Serbinë, me deklaratën e tij para dy ditësh të dhënë në Tiranë, sipas së cilës, të dy vendet duhet ta mbajnë fjalën e dhënë”:  – kështu deklaroi ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot në intervistë ekskluzive për RTK Prime.

Olivier Guérot konfirmoi se nuk ka vendim për pezullim të vizave për Kosovën nga ana e Francës dhe se liberalizimi do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2024.

Ndër tjerash,në këtë intervistë ambasadori francez flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi, situatën e krijuar pas sulmit të 24 shtatorit e tema të tjera.

Reagon ambasada franceze në Prishtinë: Presidenti Macron nuk përmendi anulim vizash

Ambasada e Francës në Kosovë ka sqaruar deklaratën në Tiranë në Presidentit francez, Emmanuel Macron në lidhje me liberalizimine  vizave për Kosovën.

Në një përgjigje për mediat e Kosovës, ambasada e Francës në Prishtinë ka thënë se theksi i deklaratës së Macron ka qenë më shumë kërkimi i përgjegjësisë nga Vuçiçi për aktet e 24 shtatorit.

Ambasada franceze thotë se Macroni nuk përmendi anulimin e vizave.

“Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiç, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar.

Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme”, thuhet tutje në përgjigjen e Ambasadës franceze për mediat.bw

“Ka rrezik për ndërhyrje në procedurë”, Gjykata Speciale në Hagë zgjat paraburgimin për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë vendosur të vijojnë masën e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Vendimet për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit, janë marrë nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III më 16 tetor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtyre vendimeve, më 25 shtator 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dërguar parashtresat e saj për rishikimin e masës së paraburgimit për Thaçin dhe Veselin.

Në arsyetimin e Gjykatës, thuhet se është i pamjaftueshëm justifikimi se Veseli dhe Thaçi mund të arratisen nga drejtësia, megjithatë raportohet se paneli është i bindur se ekziston rreziku se ata mund të pengojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor dhe të kryejnë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dëshmuar apo atyre që mund të ofrojnë prova në këtë rast.bw

Osmani nuk dekreton Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës më 8 prill 2022 i kishte dërguar propozimin Presidencës me emrin e Isufajt.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Osmani renditi disa shkelje ligjore, që tha se janë gjetur në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, prandaj ajo ka marrë vendim që të mos e dekretojë atë.

Presidentja tha se i ka kërkuar Këshillit Prokurorial që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.

Osmani tha se për vlerësimin që ka bërë Presidenca për çështjen e kryeprokurorit janë marrë parasysh vlerësimet e bëra nga organizatat joqeveritare dhe institucionet ndërkombëtare.

Ajo tha se për çështjen e kryeprokurorit është përballur me presione të paligjshme.

“Ka pasur njerëz që dërgonin mesazhe se ‘në qoftë se nuk e dekreton, do të vëmë dosje, do të ngremë aktakuza’”, tha Osmani, duke e cilësuar si “shqetësuese” është ideja që personat brenda sistemit mund ta kërcënojnë presidenten e vendit për një çështje.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shkroi në Facebook se vendimi i Osmanit është në linjë me qëndrimet e shprehura nga organizatat joqeveritare, ambasadat, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Komisioni Evropian.

“Këshilli Prokurorial ka dështuar të udhëheqë një proces të bazuar në meritokraci dhe integritet”, shkroi ai.

Të zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes vitin e kaluar janë shprehur edhe Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.

Me ligjin në Kosovë, kryeprokurori duhet të dekretohet nga presidenti i shtetit.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Kryeprokurorit të deritashëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill, 2022.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.rel

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Güler, viziton sot Kosovën

Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret sot në takim ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Yaşar Güler, i cili gjendet për vizitë zyrtare në vendin tonë. Zyra e Presidentes Osmani njofton se takimi nis në orën 13:35.

Përmes një njoftimi për medie, më herët, është bërë e ditur ministri turk do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.

Ministri i Mbrojtjes të Turqisë, Yaşar Güler, sot do të pritet edhe nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, raporton RTKlive.

“Ceremonia zyrtare e pritjes do të zhvillohet nga ora 09:00 dhe do të shoqërohet  me togun ceremonial të FSK-së. Të dy ministrat do të mbajnë takimin kokë më kokë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ministri Güler, do të pritet në takim nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Javën e kaluar, gjenerali turk Ozkan Ulutash mori komandën e 4,500 ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke përfshirë 780 ushtarë turq. Pritet që deri në fund të vitit, numri i kontingjentit turk në KFOR mund të arrijë në 1 mijë pjesëtarë.

Në fjalimin e tij të parë si komandant i KFOR-it, Ulutash tha se ishte krenar që mori detyrën e tij si oficeri i parë turk në krye të këtij misioni të NATO-s.

Sveçla publikon foto të reja të minave: Kemi të bëjmë me grupe terroriste të mirëorganizuara

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se armatimi i konfiskuar së fundmi në veri, tregon nivelin e përgatitjeve për sulme dhe përshkallëzim nga Serbia.

Nëpërmjet një postimi në platformën X, Sveçla krahas disa fotografive të publikuara të minave, ka thënë se ato janë një tjetër provë që Kosova ka të bëjë me grupe terroriste të mirëorganizuara.

“Armatimi i konfiskuar në veri të Kosovës jep sinjale të qarta për nivelin e përgatitjeve për sulme dhe përshkallëzim nga Serbia. Minat dhe pajisjet e sofistikuara më poshtë janë një tjetër provë. Nevojitet ndonjë provë tjetër që kemi të bëjmë me grupe terroriste të mirëorganizuara”, ka shkruar ai.

Të shtunën është zhvilluar një bastisje e policisë në disa zona të veriut të Kosovës, ku janë gjetur granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim. syri.net

Lista Serbe shprehet e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet komunale në veri të Kosovës

VOA

 

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi, tha të premten se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës, duke i bërë thirrje Prishtinës për shpalljen sa më parë të tyre.

Shpallja e kësaj gatishmërie pasoi thirrjen e një nate më parë të presidentit te Serbisë Aleksandar Vuçiç drejtuar përfaqësuesve te serbëve në Kosovë që siç tha, “të dalin me nisma për organizimin sa më parë të zgjedhjeve në katër komunat” me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Kësisoj do të fillonte procesi me të cilin mekanizmat e pushtetit do të ishin në duart e atyre që jetojnë atje”, tha presidenti serb të mërkurën në mbrëmje ne nje interviste me televizionin Prva në Beograd.

“Sikundër gjithmonë i kemi marrë vendimet në bashkëpunim me Beogradin dhe presidentin Aleksandar Vuçiç, do të dëgjojmë këshillën e tij dhe jemi të gatshëm të dërgojmë mesazhin nga ky vend se jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhjet në katër komunat në veri dhe në këtë mënyrë të nxisim procesin politik dhe dialogun që do të ndihmonte përmbushjen e kushteve tona. Prandaj, kërkojmë nga Prishtina që sa më parë të shpallë zgjedhjet për kryetarët e rinj dhe kuvendet e reja të të katër komunave”, tha të premten kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, në një konference me gazetarë në Mitrovicën e Veriut.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga institucionet në Prishtinë që janë shprehur të gatshme të organizojnë zgjedhje të reja në veri përmes një udhëzimi administrativ i cili ua mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave përmes një peticioni.

Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e muajit prill që u bojkotuan nga partitë serbe. Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian u pajtua të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës në veri.

Rizvanolli: Serbia po e bojkoton udhërrëfyesin për energjinë

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, e ka akuzuar të enjten Serbinë se nuk po e zbaton udhërrëfyesin për marrëveshjen për energjinë në katër komunat në veri të Kosovës.

“Ne kemi bërë të qartë për të gjitha palët se, një mënyrë e tillë e funksionimit, nuk mund të funksionojë. Institucionet tona kanë kryer detyrat në afatet e duhura të marrëveshjes, kurse nga pala tjetër ka sabotim,” tha Rizvanolli.

Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për energjinë më 2013, por ajo kurrë nuk ishte zbatuar në tërësi.

Në qershor 2022, palën u pajtuan në Bruksel për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë.

Në bazë të udhërrëfyesit, kompania për furnizim dhe faturim të veriut me rrymë do të merret kompania serbe, Elektrosever, por BE-ja kishte konfirmuar vitin e kaluar se ka vonesa në zbatimin e udhërrëfyesit.

Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht me shumicë serbe – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që nga viti 1999.

Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Por, Rizvanolli theksoi se Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë ndonjë shumë të mjeteve financiare për pagesën e faturave të energjisë elektrike për banorët e katër komunave në veri të Kosovës.

“Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) që nga ajo kohë, mirëpo nuk kemi ndarë mjete shtesë si qeveri,” tha Rizvanolli për mbledhjes se Qeverisë të enjten.rel

Sveçla: Në sulmin në Banjskë mori pjesë bashkëpunëtori i afërt i djalit të Vuçiqit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një dokument personal të një serbi, që tha se janë gjetur pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Sipas Sveçlës, dokumenti i përket Millorad Jevtiqit që “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiq, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”.

“Nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuçiqit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë”, pretendoi Sveçla.

Ai tha se gjetja e këtij dokumenti dëshmon se Jevtiq ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj policisë së Kosovës.

Ministri kosovar tha po ashtu se Jevtiq është identifikuar si një ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës.

“Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij [i përfshirë] në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, shkroi Sveçla në Facebook.

Më 24 shtator, një grup i armatosur sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.

Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues.

Kosova ka fajësuar për këtë sulm – që e cilëson terrorist – Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Kosova ka publikuar dëshmi për përfshirjen e Radoiçiqit në ngjarjet në veri, përfshirë edhe pamje të incizuara me dron ku ai shihet i veshur me uniformë dhe i armatosur në manastirin e Banjskës më 24 shtator.

Pas sulmit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë e cila kërkon një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin, teksa u kanë bërë thirrje palëve që të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Në BE po ashtu disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë.rel

Kurti: Investimet në armatim janë rritur për 191 për qind

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjatë dy vjet e gjysmë të qeverisjes, ekzekutivi që ai udhëheq ka dyfishuar buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha po ashtu se gjatë kësaj periudhe janë rekrutuar afër 2.000 ushtarë të rinj.

“Kemi rekrutuar 1.852 ushtarë të rinj, duke rritur numrin e përgjithshëm të ushtarëve për më shumë se 2/3. Ushtria jonë sot është më profesionale dhe më e përgatitur sepse gjatë kësaj periudhe, 3.325 ushtarakë kanë përfunduar trajnime profesionale jashtë vendit. Ata janë të pajisur më mirë se asnjëherë më parë, sepse investimet në armatim janë rritur për 191%. Arsenalit tonë ushtarak, ia shtuam dronët e mirënjohur luftarak Bayraktar”, shkroi Kurti.

Kosova aktualisht është në proces të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
Procesi ka nisur më 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Në mars të vitit 2022, FSK-ja, në bashkëpunim me forcat amerikane, iu bashkua misionit të parë paqeruajtës jashtë vendit.

Përveç me SHBA-në, Kosova ka marrëveshje edhe me Mbretërinë e Bashkuar për angazhimin e përbashkët të forcave ushtarake në misione të ndryshme.REL

Specialja bën dy arrestime për pengim të drejtësisë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi të premten se i ka arrestuar dy persona në Kosovë, të dyshuar për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.

ZPS-ja theksoi se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi u arrestuan më 5 tetor në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe se ata janë dërguar sot në ndërtesën e paraburgimin të DHSK-së në Hagë, ku do të dalin para një gjykatësi të procedurës paraprake më 9 tetor.

Ata dyshohet se u përpoqën ta “bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte” në gjyqin e Dhomave të Specializuara, sipas njoftimit.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake e konfirmoi aktakuzën kundër Januzit dhe Bahtjarit më 2 tetor 2023.

“Bahtjari dhe Januzi u arrestuan për shkeljet e kryera kundër administratës së drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale…pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në njoftim.

Në arrestimin e tyre ndihmuan edhe Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës në përputhje me legjislacionin e Kosovës, tha ZPS-ja.

Sipas aktakuzës së konfirmuar “midis më së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Januzi dhe Bahtjari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 për ta nxitur dëshmitarin 1 që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë përmes përdorimit të kërcënimit të rëndë…. më pas ata u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale me dëshmitarin 1.”

Bahtjari dhe Januzi do të paraqitet para gjykatësit të hënën, 9 tetor, në dy seanca ndarëse në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.rel

Prapaskenat e sulmit terrorist të 24 shtatorit- Sveçla: Serbët do maskoheshin si ushtarë të KFOR, ky skenar mund të ripërsëritet

Ministri i Brendshëm i Kosovë Xhelal Sveçla ka zbuluar prapaskenat e 24 shtatorit, dita e sulmit terrorist të serbëve në veri të Kosovës, ku  mbeti i vrarë polici kosovar Afrim Bunjaku.

Sveçla tregon se trupat serbe ishin të pajisur me uniformat e KFOR-it, gjë e cila paraqiste elemente tepër të rrezikshme për një masakër të madhe të mundshme.

Në një lidhje me Skype për edicionin e mbrëmjes me Armela Ferkon në Syri Tv, Sveçla është shprehur se Aleksandër Vuçiçit nuk i zihet besë dhe ky skenar i Serbisë mund të përsëritet sërish.

Ai jo vetëm se shpërtoi dhjetra e dhjetra jetë të kolegëve të tij por shpëtoi Kosovën nga një skenar shumë ogurzi. Ne kemi shumë informata që zbardhin skenarin e Serbisë në 24 shtator, kishte diku deri në 90 terrorist të cilët u futën me armatime të rënda në republikën e Kosovës  dhe planifikuan të realizojnë një korridor mes republikës së Serbisë dhe dy komunave, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.

Këto armatime ishin armatime ushtarake  duke qënë se nuk përdoren nga policitë askund në botë dhe që as nuk mund të gjendjen as në treg zyrtar e as në treg të zi. Po flas për raketathedhës dore, për minahedhës -82mm, 62mm, po flas për mina antitank, mina antipersonel, po flas për eksploziv qoftë tritol, qoftë eksploziv plastik, po flas për top 30mm që do të thotë një arsenal i tërë i armëve të cilat janë marrë kazermat e ushtrisë së Serbisë .

Për këtë neve kemi dëshmi edhe të fletëpranimeve, fletëdorëzimeve  të këtyre armëve  dhe dukeqënëse ky plan përfshinte edhe një element jashtëzakonisht të rrezikshëm  ai ishte se disa nga veturat, nga 30 që u futën në Kosovë  kishin stikers me shenjën e KFOR-it , kishin edhe uniforma të KFOR-it italian dhe kishin diku rreth 24 armë me silenciator që do  të thotë se ata ishin të gatshëm të maskoheshin si pjesëtarë të KFOR-it dhe të ekzekutohin pjesëtarët e policisë, me ç’rast tensioniet do të rriteshin në një pikë ku realisht nuk do të dij se kush në kë po shtie.

Në të njëjën kohë këta kishin dhe një numër shumë të madh të uniformave dhe paisjeve të armëve me numër më të madh sesa ishin vetë që japin indikacion se ata ishin përgatitur që një pjesë të këtyre armatimeve e uniformave t’ia jepnin personave që tashmë ishin në Kosovë dhe numri i tyre patjetër që do të dyfishohej apo trefishohej. Po ashtu indikacionet janë se grupet tjera do të futeshin më pas përmes këtij korridori në Kosovë.

Ky skenar nuk përjashtohet se do të përsëritet. Fatmirësisht ata u ndanë jashtëzakonisht keq pas reagimit jashtëzakonisht profesional të policisë së Kosovës dhe kjo i jep shpresën se ata janë dëmtuar aq sa mos të provojnë sërish, por Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së tij nuk i zihet besë asesi”

Turqia merr komandën e KFOR-it, i kërkon Kosovës dhe Serbisë të përmbahen

Turqia do të marrë komandën e KFOR-it në një kohë kritike pasi tensionet shpërthyen mes Kosovës dhe Serbisë.

Turqia, e cila ka ushtrinë më të madhe në NATO pas ShBA-së, do të marrë drejtimin e misionit nga Italia më 10 tetor, tha të enjten kundëradmirali Zeki Akturk, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë.

Vendi ka marrëdhënie me të dyja palët, pasi ka zhvilluar lidhje tregtare me Serbinë ndërkohë që ka furnizuar me drone luftarake aleatin, Kosovën, raporton ‘Bloomberg’.

Turqia e sheh raportin personal të presidentit Recep Tayyip Erdogan me presidentin serb Aleksandar Vuçiq si potencialisht vendimtar në parandalimin e një përshkallëzimi të dhunës pas shkëmbimit të zjarrit vdekjeprurës të javës së kaluar në Kosovë, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje, transmeton Klankosova.tv.

ShBA-ja i ka kërkuar Serbisë që të tërheqë trupat e saj nga kufiri me Kosovën dhe të mbajë përgjegjës përgjegjësit për dhunën, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre nga grupi terrorist.

Turqia planifikon t’i kërkojë Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet që mund të dëmtojnë përpjekjet vjetore për të normalizuar marrëdhëniet midis fqinjëve, thanë njerëz të informuar në kushte anonimiteti.

Gjeneralmajor Ozkan Ulutas i ushtrisë turke mbërriti në Kosovë të martën për të marrë komandën e misionit, i cili përfshin një forcë turke prej rreth 600 trupash.

‘Bloomberg’ shkruan se Turqia e ka mbështetur tradicionalisht Kosovën, me të cilën ndan lidhje fetare dhe etnike, dhe së fundi i ka shitur vendit gjashtë dronë luftarakë pa pilot ‘Bayraktar TB2’ të përdorur gjithashtu nga Ukraina për të luftuar forcat ruse.

Kompanitë turke përdorin Serbinë si bazë prodhimi për eksportet në Evropë dhe Rusi, thanë njerëzit, duke shtuar se disa biznese, duke përfshirë sektorët e automobilave dhe tekstilit, kanë hapur biznes në Serbi, ku ka dhjetëra degë të huadhënësit shtetëror të Turqisë ‘Halkbank’.

Erdogani mund të vizitojë Beogradin si pjesë e një turneu në rajon në muajt e ardhshëm.

KFOR: Sundimi i ligjit është ekskluzivitet i Policisë së Kosovës, do rritim praninë në veri

Misioni i KFOR-it në Kosovë në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express kanë folur rreth kërkesave që vijnë nga palë të ndryshme që kjo forcë e NATO-s ta marrë kontrollin e veriut pas sulmit terrorist të ndodhur më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Nga Besnik Velija

Nga KFOR kanë thënë se si rezultat i tensioneve që ndodhen në fillim të këtij viti, në Kosovë ishin dislokuar 500 trupa turke nga forca rezervë operacionale e NATO-s për Ballkanin Perëndimor, forca të cilat KFOR tregon që në shtator janë zëvendësuar nga trupat bullgare dhe greke.

Nga KFOR-i potencojnë se “forcat rezervë shtesë janë në nivel të lartë gatishmërie”, shkruan Gazeta Express.

Tutje kanë përmendur edhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për vendosjen e forcave shtesë në Kosovë pas sulmit të 24 shtatorit.

200 trupat britanike që do të vijnë në Kosovë, KFOR bën të ditur se do të pasohen me përforcime të tjera nga aleatët.

“Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë po ushtrohet në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë“, kanë potencuar për Express.

Ky vendim për shtim të trupave nga KFOR thonë se vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe theksojnë se varësisht nga situata do të rregullojnë praninë e tyre.

“Ky është një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat, aftësitë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme për të mirën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. KFOR-i do të vazhdojë të rregullojë qëndrimin e tij, sipas nevojës”, kanë shtuar tutje.

Si rezultat i zhvillimeve të fundit, misioni i NATO-s ka theksuar se kanë shtuar gjithashtu praninë dhe aktivitetin në veri të Kosovës.

Sa i përket kërkesave për marrje të kontrollit të veriut, nga KFOR kanë bërë të qartë se mandati i tyre s’përfshinë zbatimin e ligjit dhe se kjo mbetet një kompetencë ekskluzive e Policisë së Kosovës.

“Mandati i KFOR-it në OKB është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit. Kjo mbetet një prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës“, kanë potencuar nga KFOR për Express.

Në fund, KFOR bën thirrje që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-jë meqë është e vetmja mënyrë për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshem për të gjitha komunitetet.

“Ne i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është mënyra e vetme për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm për të gjitha komunitetet. Të gjitha palët duhet gjithashtu të përmbahen nga retorika nxitëse, e cila është kundërproduktive dhe rrezikon përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve“, kanë thënë nga KFOR-i.

Serbia pas sulmit terrorist ka kërkuar që KFOR-i të merret me situatën e sigurisë në Veri të Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës ka deklaruar se “KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Çdo hezitim apo vonesë vështirëson të nesërmen”.

Rama ndërkohë ka deklaruar se kjo ka qenë edhe kërkesë e presidentes Vjosa Osmani. Megjithatë nga Zyra e Presidencës kanë sqaruar se kanë kërkuar nga KFOR-i përkrahje për institucionet e Kosovës, por jo marrje të kompetencave.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe as ish-zëdhënësi i NATO-së, Jamie Shea, s’e kanë përkrahur idenë që KFOR-i të marrë kontrollin e Veriut.

Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka deklaruar se diçka e tillë do ta kthente Kosovën para 17 shkurtit 2008.

Vesna Pusici i përgjigjet Blinkenit: Ndërkombëtarët kanë problem me Kurtin se ai nuk korruptohet as shantazhohet

Ish Ministrja e Jashtme e Kroacise Vesna Pusic i është përgjigjur sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken i cili i bëri thirrje presidentit Vuçiq për të ulur tensionet me Kosovën dhe për të kërkuar llogari nga ata që janë përgjegjës për sulmet e fundit.

Pusici ju përgjigj Blinkenit, duke i kërkuar të shikojë të vërtetën në sy, teksa i kujton se arsyeja pse ndërmjetësuesit e ndryshëm ndërkombëtarë kanë probleme me kryeministrin e Kosovës Kurti, është se ai është një politikan i rrallë i pa korruptuar dhe i vështirë për t’u shantazhuar.

Ministri Sveçla publikon pamjet e reja: Autorët e sulmit të 24 shtatorit në veri u përgatitën në pronën e Radoiçiçit në Serbi

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media së bashku me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha publikuan pamje të nxjerra nga dronët e sekuestruar, që tregojnë terroristët serbë duke u përgatitur disa ditë para sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim: aneksimin e veriut të Kosovës”, tha Sveçla.

Ai tha se provat e paraqitura me video dëshmojnë “përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qendrat zyrtare të trajnimeve”.

“Në këtë tentim aneksimi janë angazhuar drejtpërsëdrejti presidenti Aleksandar Vuçiç, ministri i Mbrojtjes i Serisë, Milosh Vuçeviç dhe shefi i komandës së ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviç”, tha Sveçla.

Ai tha se “ushtria e Serbisë ia kishte dhënë Serbisë të gjithë armatimin e konfiskuar”.

Pamjet, siç tha ai, dëshmojnë se në drejtim të Policisë pati të shtëna me armë të kalibrave të rëndë edhe pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku.

“Përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi afër Jagodinës si dhe në Kopaonik. Të gjitha këto pamje janë siguruar nga dronët e grupit terrorist që i kemi konfiskuar”, tha Sveçla.

Si raporton “Express”, ai tha se provat janë të pakontestueshme dhe se tani “është i domosdoshëm dënimi dhe sanksionimi i këtij sulmi terrorist nga faktori ndërkombëtar”.

Drejtori i Policisë tha se videot dëshmojnë se aktivitetet e grupit terrorist u zhvilluan edhe në hapësirat e pronës së Milan Radoiçiçit në Serbi.

“Shihen veprimet dhe aktivitetet e grupit terrorist në hapësirat e pronës së Millan Radoiçiçit”, tha Gazmend Hoxha.bw

VIDEO/ Ja momenti i vrasjes së policit Afrim Bunjaku në Kosovë

Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha ka prezantuar pamje të vendit ku terroristët serbë u përgatitën për sulmin në Banjskë.

Ai gjithashtu ka prezantuar edhe momentin e sulmit ku u vra polici Afrim Bunjaku.

“Vrasja e tij ka ndodhur me detonim të minës antikëmbësorike të detonuar nga afërsia me teledirigjues dhe me bateri elektrike që është përdorur nga grupi terrorist”, u shpreh ai.

Zbulohet një tjetër arsenal armësh në Zveçan

Gjatë kontrollit të territorit, pas sulmit terrorist në Banjskë, Policia e Kosovës ka zbuluar një tjetër arsenal të madh armësh, po në zonën e Zveçanit.

Përmes një komunikate për mediat, policia njofton se në armatimin e gjetur ka pasur pushkë, pistoleta, antiplumb, fishekë, granata, etj.

 ‘Sendet e gjetura dhe sekuestruara janë një antiplumb, karikator me 30 fishek, kapelë dhe doreza, maskë ngjyrë e gjelbër,  e tre karikator dhe 90 fishek, çantë e vogël për brez, pjesë e sipërme e uniformës, 3 karikatorë dhe 85 fishekë, armë e gjatë me 5 karikatorë me nga 30 fishekë, një rrip, dy karikatorë me nga 30 fishek, armë e gjatë dhe dy karikatorë pistolete me nga 15 fishekë, gjoksore ngjyrë e zezë me 5 karikatorë nga 30 fishekë dhe një granatë dore, armë e gjatë me pesë karikatorë me nga 30 fishekë, armë e gjatë me pesë karikatorë me nga 30 fishekë, armë e gjatë me një karikatorë me 30 fishekë, armë e gjatë me një karikator me 30 fishekë, radio lidhje, kapelë ngjyrë ushtarake, një antiplumb me një karikator dhe 30 fishekë, një pako me cigare’, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

Nuk dihet ende nëse këto armë i përkasin grupit që u largua nga manastiri i Banjskës, apo dikujt tjetër.

Kurti: Terroristët e mbështetur nga Serbia, plan për fillimin e një lufte të armatosur kundër Kosovës

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje po mban mbledhjen e 52-të të Këshillit të Përgjithshëm. Në pjesën e parë të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, anëtarëve të Këshillit ju drejtua kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër i vendit, Albin Kurti.

Mbledhja filloi me një minutë heshtje në nderim të policit Afrim Bunjaku,  ku u fol edhe për situatën aktuale në vend.

“Nga sulmi i tyre qyqar u vra polici ynë, rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos polici kufitar Alban Rashiti. Me dhimbjen për Afrim dhe lehtësimin që Albani po mjekohej shpejt menjëherë reaguam duke e vënë perimetrin e sigurisë rreth fshatit Banjskë ku ishin strehuar terroristët”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për vlertën e armatimit të konfiskuar e cila kap vlerën në mbi 5 milionë euro dhe se kishte armatim për qindra luftëtarë.

“Të dielën që shkoi u cenuan integriteti, sovraniteti dhe siguria jonë kombëtare. Ata kishin ardhur më skenar. Kemi gjetur armatim më shumë se 5 milionë euro, kjo dëshmon për planin që kishin ata, fillimin e një luftë të armatosur kundër Kosovës, nën direktivat politike e me  mbështetje  nga Serbia”, deklaroi Kurti.


Send this to a friend