Reforma zgjedhore nuk do të jetë në rend dite në Kuvendin e Kosovës, përpara se të zgjidhen problemet apo çështjet, për të cilat ka kundërshtime të skajshme ndërmjet partive politike të përfaqësuara në Kuvend, vlerësojnë përfaqësuesit e partive politike të Kosovës, në pushtet dhe opozitë.
Kuvendi i Kosovës, pas përplasjeve të forta dhe punës në kushte të rënduara gjatë disa muajve, ende nuk i është kthyer plotësisht normalitetit, me kërcënimet e opozitës se do të pengojë çfarëdo përpjekje për të votuar çështjet si demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Një numër çështjesh tjera ligjore kanë mbetur pa u diskutuar në mungesë të opozitës në sallë, dhe reforma zgjedhore, që u punua në vitet e kaluara, nuk shihet se mund të vihet në rend dite së shpejti.
Basri Musmurati, sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se ekziston pajtimi i kësaj partie për reformë zgjedhore dhe se tashmë, janë identifikuar pikat, të cilat, sipas tij, kërkojnë reformim.
“Ndoshta sistemi zgjedhor do të duhej të bëhej pak më ndryshe se sa që është deri më tash, sepse votimi i shumë kandidatëve, e dini sa telashet i ka sjellë. Ne i kemi trajtuar dhe i kemi fiksuar pikat – që unë nuk do t’i them tash, nuk do t’i bëj publike – të cilat do të duhej t’i bënim”.
“Por, megjithatë, që të shtrohej kjo çështje në Kuvend, sigurisht se do të duhej njëherë që t’i kalojmë disa probleme aktuale që i kemi. Do të duhej të ishin prezente të gjitha subjektet politike që përfaqësohen në kuvend dhe të shtrohet kjo çështje”, thotë Musmurati.
Vjosa Osmani, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë për Radon Evropa e lirë, se në qoftë se partitë politike përcaktohen që të shkojnë drejt reformës zgjedhore,atëherë duhet pasur parasysh problemet me të cilat janë ballafaquar në zgjedhjet e deritashme.
Sipas saj, problemet nuk kanë buruar nga sistemi zgjedhor e as nga ligji për zgjedhjet.
“Problemi ka qenë tek njerëzit që kanë qenë të gatshëm të kryejnë vepra penale, pra, për të vjedhur vota. I njëjti ligj është aplikuar edhe në vitin 2010, kur ka pasur vjedhje industriale të votave, por edhe në vitin 2014, kur ka pasur një rregullsi goxha të kënaqshme sa i përket procesit zgjedhor”.
“Pra, problemi nuk ka qenë te ligji. Problemet janë të tjera. Për shembull, pastrimi i listave zgjedhore, që nuk varet nga ligji, por varet nga gatishmëria e Ministrisë së Punëve të brendshme dhe deri diku edhe KQZ-së”, thotë Osmani.
Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo opozitare, thotë se nisma për reformën zgjedhore ka pasur edhe në mandatin e kaluar parlamentar, por që nismat e tilla kishin ngecur.
“Kosova ka shumë nevojë që të ketë një reformë zgjedhore dhe një demokratizim më të madh të shoqërisë. Ne konsiderojmë që, duke u bazuar në përvojën e deritashme, Kosova ka nevojë të ndahet në zona, për shkak të përfaqësimit të kuadrove dhe për shkak të llogaridhënies së deputetëve në zonat, të cilave u takojnë. Prandaj, do të ishte mirë që lista e hapur të jetë në zona dhe përgjegjësia do të ishte shumë më e madhe, por edhe përfaqësimi”, tha Isufi
Por, kur mund të pritet që reforma zgjedhore të shtrohet si çështje në Kuvendin e Kosovës?
Musmurati thotë se, nuk mund të përcaktohet një afat eventual se kur kjo çështje mund të diskutohet, por sipas tij, e nevojshme është që reforma zgjedhore të bëhet para zgjedhjeve të ardhshme, lokale dhe qendrore.
“Vitin e ardhshëm kemi zgjedhje komunale dhe më vonë edhe zgjedhje qendrore. Nëse do të kishte mundësi që kjo reformë të bëhet para zgjedhjeve, do të ishte sukses shumë i madh edhe i Kuvendit, por edhe i subjekteve politike dhe i Kosovës. ne si subjekt (PDK) do t’i japim shtysë që kjo të bëhet para zgjedhjeve”.
Osmani thotë se mbi 90 për qind të sfidave të cilat janë identifikuar në proceset zgjedhore, vite me radhë, tashmë janë adresuar nga ish Komisioni për reformë zgjedhore. Por, në rast se kërkohet ndryshimi i zonave zgjedhore, kjo, siç thotë ajo, do t’i detyrojë partitë politike që të ulen dhe fillojnë një proces, për të cilin, në legjislaturën e kaluar nuk ka pasur pajtim.
Po ashtu, sipas saj, në rast se do të propozohej mbyllja e listave, kjo do të ishte një hap prapa. Në të kundërtën sipas saj, reforma zgjedhore do të mund të bëhej brenda mandatit të legjislaturës së tanishme.
“Kjo varet nga partitë politike parlamentare dhe nga ajo se sa dëshirojnë këto parti që kjo reformë të jetë e thellë. Në qoftë se përcaktimi i partive është që të shkohet me reformën që tashmë ka përfunduar si draft-ligj, në mandatin e kaluar, atëherë do të jetë shumë thjeshtë, sepse vetëm draft-ligji i përgatitur nga ish Komisioni për reformë zgjedhore, që kishte më shumë se dy vjet mandat, mund të vendoset në votim në këtë legjislaturë dhe ajo natyrisht që nuk merr kohë”.
Por, Isufi shpreh mendimin se reforma zgjedhore nuk do të mund të bëhet shumë shpejt, për shkak të problemeve aktuale që kanë përplasur partitë politike në pushtete dhe opozitë.
“Problemet, siç janë: krimi organizuar, korrupsioni, mandej edhe temat e rënda nacionale, siç janë Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si dhe Demarkacioni, kanë bërë që Kuvendi të mos mund të merret me reformën, e aq më pak partitë politike”.
Sido që të jetë , përfaqësuesit e partive politike, pajtohen në një pikë, që për ngritjen e shkallës së demokratizimit të zgjedhjeve në Kosovë, reforma zgjedhore është e domosdoshme. (REL)