Problemi i demarkacionit Kosovë-Mali i Zi është politizuar deri në skajshmëri dhe zhvillimet kanë arritur deri aty sa argumentimi shkencor dhe gjykimi racional kanë humbur tashmë çdo kuptim.
Diskursi ashtu siç po rrjedh nuk ka lidhje me territor, por bëhet fjalë për luftë për pushtet midis grupacioneve partiake-politike, duke u krijuar raporte absurde midis tyre, të karakterizuara vetëm me epitetet: “patriot” ose “tradhtar”! Por aty vërehej edhe diçka tjetër: lufta e ashpër midis llojit, qoftë midis partnerëve të koalicionit, qoftë brenda vetë këtyre dy partive të mëdha shqiptare!
Kjo u pa dhe në një “debat shkencor-profesional” të organizuar nga vetë Kuvendi i Kosovës më 3 gusht 2016, ku dominuan joprofesionalizmi, militantizmi ekstrem politik, injoranca dhe emocionet.
Takimi i përkiste një panairi të llojit të vet, ku ziheshin në gojë edhe kufijtë deri te “Molla e Kuqe”: mendonin se kishte ardhur koha për një “Kongres Shqiptar të Berlinit”, i vetëmandatuar për vizatimin dhe rivizatimin e kufijve të rinj në Ballkan! Ata që përpiqeshin të ofronin argumente shkencore për historikun e vijës kufitare dhe mundësi të zgjidhjes së çështjes ishin në pakicë të madhe, të përbuzur e të sharë, sepse kështu ishte orkestruar “debati shkencor” nga vetë organizatorët dhe drejtuesit e tij.
Klithmat, ulërimat dhe harbutëria pro et contra, kjo ishte atmosfera! Më kishte ftuar kryetari i Kuvendit me ftesë speciale në cilësi të ekspertit, por në prani të tij, drejtuesi i “debatit”, nënkryetar i Kuvendit, ma merr fjalën dhe nuk më jep të drejtën të replikoja me “përfaqësuesit e popullit” dhe profiterët politikë, të cilët me sjelljet e tyre populliste gjendeshin në anën tjetër të arsyes! Isha aty vetëm në emër timin, jo të Akademisë, për ta prezantuar një opinion personal dhe për t’iu kundërvënë me argumente injorantëve dhe profiterëve politikë.
Ishte i bezdisshëm “debati” më se 12 orësh dhe më të neveritshme ishin sjelljet e “përfaqësuesve të popullit” ndaj të gjithë atyre që mendonin ndryshe, por e vlejti që qëndrova deri në fund, me gjithë ofendimet që më bëheshin mua personalisht dhe Akademisë, sepse vetëm nga afër arrita të nxjerr përfundimin se në atë Kuvend nuk ka vetëm “deputetë të popullit”, por midis tyre ka edhe shumë harbutë dhe huliganë!
Në këtë takim “shkencor-profesional” mund të merrnin pjesë edhe gazetarë, analistë, opinionistë të ndryshëm, diplomatë, por çka kërkonin aty militantët partiakë, pastaj politikanët, deputetët dhe qeveritarët, të cilët, po të ishin të zotët e të arsyeshëm do të kishin gjetur gjuhë të përbashkët (konsensus) për një çështje kaq madhore dhe do ta kishin zgjidhur çështjen e kufirit me Malin e Zi dhe shumë probleme të tjera.
Në “debat shkencor” kishin sjellë edhe njerëz hallexhinj të atyre zonave, duke manipuluar me pakënaqësitë e tyre personale dhe familjare (pronat), në vend se të shkohej te ata dhe të bisedohej me javë e muaj fshat për fshat, mëhallë për mëhallë, shtëpi për shtëpi, familje për familje, parcelë për parcelë.
KUFIJTË SHTETËRORË NUK BËHEN VETËM NGA HARTAT
Kufijtë nuk merren nga hartat; vijat në harta janë vija imagjinare dhe nuk mund t’i bësh sinore (mezhde) ndërkombëtare pa u negociuar. Ambasadori amerikan, në mbështetje të mendimit të ekspertëve dhe analistëve të State Departamentit, në takimin e 3 gushtit nënvizoi: “Ata që thonë se kufiri është dashur të vendoset sipas hartave, historisë apo nostalgjisë kjo nuk është e përshtatshme për ditët e sotme. Të dëshirosh që historia të jetë ndryshe nuk është bazë reale për marrëveshjet reale” (Grag Delawie, Koha ditore, 4 gusht 2016, f. 2).
Nga hartat e enciklopedive, të atlaseve, të leksikoneve, të teksteve shkollore me shkallë 1: 500.000; 1: 1.000.000, 1: 1.500.000 aq më tepër nuk mund të nxirren mezhdat në terren. Në hartën me përmasa 1:500.000 – 1cm në hartë është baras me 5 km në natyrë; harta 1:1.000.000 – 1cm në hartë = 10 km në natyrë; harta 1:1.500.000 – 1cm në hartë është baras me 15 km në natyrë. Ndërkaq, hartat kadastrale – ku shkallët janë 1: 2.500, apo të tjera, i japin detajet në terren, janë bazë për zgjidhjen e kontesteve pronësore-juridike të qytetarëve – të mezhdave, rrugëve, vadave, strehëve etj. Maja, qafa, gryka etj. nuk janë një cm apo një metër, por disa dhjetëra e qindra metra, madje edhe km – ku ta vësh aty kufirin shtetëror? Qafat shpesh duken si pllaja, ose grykat, e Llapushnikut p. sh. si morfologji, duket si një fushë e vogël.
Të gjitha hartat e territorit të Kosovës bazën hartografike e kanë tek ish-Drejtoria Krahinore e Gjeodezisë së Kosovës, sot Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe të gjithë shfrytëzuesit tanë janë mbështetur aty, përfshirë edhe këta që po kundërshtojnë sot.
Kufijtë janë çështje e shtetit. Shteti me fqinjët merren vesh për vijën kufitare pas hulumtimit të dokumentacionit dhe mbledhjes së të dhënave në terren dhe arkiva: kadastrale, gjeodezike, gjeografike, historike, ekonomike, etnike, hartografike, përmes bisedave me ekspertë të planifikimit hapësinor të komunave përkatëse, të trashëgimisë kulturore, përmes bisedave me njerëzit e atjeshëm të moshës së vjetër, me politikanë lokalë që i kanë drejtuar apo i drejtojnë ato komuna të zonave kontestuese kufitare, etj.
Shteti e formon Komisionin Shtetëror të Demarkacionit, tepër profesional dhe kredibil. Edhe Kosova e formoi një Komision, por jo me një cilësi profesionale në nivel që e kërkonte çështja. Ai kishte për detyrë që bashkë me Komisionin Shtetëror të Malit të Zi ta vërtetonte ku ka qenë kufiri administrativ midis Kosovës dhe Malit të Zi, që do të bëhet kufi shtetëror pas pavarësisë së Kosovës. Pas punës disavjeçare ky Komision paraqiti një Raport përfundimtar.
Sipas mendimit tonë Raporti ishte ekstensiv, me plot paqartësi dhe materiale irelevante për kufirin – u referohej disa viteve, dokumenteve e ngjarjeve që nuk kanë fort lidhje me kufirin Kosovë – Mal i Zi, Kosovë – Serbi, prandaj ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme. Komisioni që nga themelimi, së bashku me Qeverinë, nuk ishte as transparent sa duhet për punën e kryer; në mungesë të transparencës dhe megalomanisë se votat janë të siguruara në Kuvend për miratimin e Raportit, nuk ditën ta plasonin edhe pjesën produktive të punës së bërë, të mbështetur në të dhëna dhe fakte të pakontestueshme.
Pjesë e këtij Komisioni është dashur të ishte patjetër një kuadër nga Peja (ekspert, politikan tepër kredibil, i dikurshëm apo i sotëm etj.). Detyra e Komisionit ishte që të gjendej kufiri administrativ midis Malit të Zi dhe Serbisë, përkatësisht Malit të Zi dhe Kosovës, i vënë padrejtësisht, dhe ai kufi i padrejtë do të ishte kufi “i drejtë”, të cilin sot duhet pranuar si të tillë. Mbetet i panjohur fakti se a është gjetur njëmend ajo vijë kufitare, e shënuar me diçka, me gur të posaçëm, me piramida përkatëse apo shufra të trasha hekuri, derisa dihet se mezhdat e të gjitha arave ose pronave të tjera në gjithë ish-Jugosllavinë janë shënuar së paku me gurë.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës nuk është konsultuar për asgjë, nga formimi i Komisionit Shtetëror për Demarkacion e deri më sot. Në maskaradën e 3 gushtit isha për ta prezantuar vetëm një opinion timin, meqenëse përveç demografisë si profesion bazë që e kam, kam mbajtur shumë vjet ligjërata në UP nga gjeopolitika dhe gjeografia politike dhe disa baza parimore dhe supozime teorike mund t’i dija, por kam bërë dhe hulumtime në terren, në pjesën më të ndjeshme të zonave kufitare për të cilat po debatohet tash e një vit.
Pra nuk isha në emër të Akademisë, por të gjitha instancat mediatike e të tjera e cilësonin mendimin tim si të kryetarit të Akademisë. Në anën tjetër, Akademia nuk është agjenci profesionale, me infrastrukturë operative, që të merrej më çështje të kufijve. Por po të ishte pyetur, do të ishte përpjekur që të ndihmonte me këshilla rreth përbërjes së Komisionit.
Mjerisht që nga paslufta gati të gjitha instancat profesionale në Kosovë, kompanitë publike, agjencitë, departamentet, këshillat, bordet, komisionet etj., me shumë ingjerenca dhe përgjegjësi, janë drejtuar dhe ende drejtohen nga joprofesionistë, nga njerëz në vija partiake, klanore, farefisnore.
Profesionistët shumë shpesh janë mënjanuar, prandaj sot po i vuajmë pasojat e joprofesionalizmit, të nepotizmit dhe privilegjeve të njerëzve të grupeve dhe klikave partiake.(Vijon)
Autori është kryetar i Akademisë se Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ky fejton është shkruar ekskluzivisht për ‘Zërin”.