VOAL

VOAL

Lista Serbe e quan kriminel Haradinajn

Lista Srpska ka komentuar për takimin e ish-presidentit kroat, Stipe Mesiç, i cili qëndroi në Kosovë dhe u takua edhe me pjesëtarët e AAK’së. Mesic ka thënë se miku i tij, Ramush Haradinaj duhet të lirohet, ndërsa Lista Srpska thotë se Mesic po e quan mik kriminelin e luftës

Lista Srpska ka komentuar deklaratën e Stipe Mesicit, ish-presidentit kroat, i cili ka thënë se shpreson në lirimin sa më të shpejtë të Haradinajt, duke e quajtur mik. Kjo parti ka thënë se ish-presidenti kroat po i quan miq kriminelët e luftës.

Lista Srpska që është pjesë e Qeverisë së Kosovës, ka thënë për Tanjug se me dëshirën e Mesicit për lirimin e Ramush Haradinajt, ish-kryeministri kroat po e tregon fytyrën e vërtetë, transmeton Gazeta Express.

“Mesiq është rrënues i shteteve dhe pjesëmarrës krenar në nxitjen e luftës vëllavrasëse, njeriu i cili është krenar me rolin e tij në shkatërrimin e shtetit që shpërbërjen e tij e shtyri në luftë, ku si pasojë u vranë miliona serbë, myslimanë dhe kroatë”, ka theksuar kjo parti.

Sot prezantohet Instituti që do të hetojë vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit

Prindërit e Astrit Deharit, aktivistit të Vetëvendosjes që vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizrenit, bashkë edhe me avokatin Tom Gashi, do të prezantojnë sot Institutin e Bashkimit Evropian, i cili do të angazhohet për hetime dhe ekspertiza të pavarura për vdekjen e Deharit.

Ata do të flasin në një konferencë për media, e cila do të mbahet në zyrën e avokatit Gashi, duke filluar nga ora 12:00.

Kuvendi i Republikës së Kosovës më 20 dhjetor 2016, ka miratuar rezolutë, me të cilën ka autorizuar familjen Dehari për përzgjedhjen e këtij ekipi të eksperteve.

Kosova ende pa vendimin për aplikim në UNESCO dhe KE

Mbetjet e qytetit të lashtë romak Ulpiana, afër Prishtinës. Pjesa e gërmimeve.

Institucionet e Kosovës janë duke punuar në vazhdimësi për të aplikuar për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, sikurse Agjencia për Kulturë, Shkencë dhe Arsim e Kombeve të Bashkuara (UNESCO) dhe Këshilli i Evropës, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Mirwpo, por ata nuk kanë precizuar ndonjë afat të caktuar se kur do ta bëjnë këtë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Valon Murtezaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se institucionet e Kosovës, në radhë të parë Ministria e Jashtme, po punon me intensitet të shtuar për avancimin e dosjes së aplikimit për anëtarësim në UNESCO. Por, sipas tij, kjo nuk nënkupton që Kosova domosdo do të aplikojë për anëtarësim në këtë organizatë, gjatë këtij viti.

“Ende ne nuk kemi ndonjë vendim përfundimtar se kur do të aplikojmë. Janë plot rrethana, të cilat do të analizohen me kujdes. Janë zhvillimet brenda UNESCO-s, janë zhvillimet në Kosovë, rajonale etj. Pra, të gjitha këto kanë ndikim në gjithë procesin. Prandaj, ne do të jemi të kujdesshëm që mos të përsëritet një situatë e re, në të cilën ne nuk do të mund të kishim sukses. Në aplikimin e dytë, ne patjetër duhet të jemi me gjasa të sigurta për t’u anëtarësuar”, thotë Murtezaj.

Zëvendësministri Murtezaj thekson se mjaft rrethana nuk varen detyrimisht nga Kosova, për ta determinuar saktësisht se kur do të merret vendimi për të aplikuar për anëtarësim në UNESCO. Ngjashëm, sipas tij, është situata edhe për aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Këshillin Evropian.

“Nuk ka afat kohor, por esenca e gjithë kësaj është që Kosova ka shumë nevojë për t’u anëtarësuar në këtë institucion, i cili merret me segmente të rëndësishme të jetës për qytetarët e Kosovës, siç janë: të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, të drejtat e minoriteteve. Të gjitha këto bëjnë që Kosova të ketë një interesim edhe më të theksuar dhe përkushtim për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Natyrisht që edhe prej momentit të aplikimit, procesi zgjat. Pra, nuk është një proces që mund të përmbyllet brenda një apo dy vjetëve”, sqaron Murtezaj.

Por, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Puhie Demaku, anëtare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se institucionet e Kosovës janë vonuar për t’u integruar në organizatat ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe UNESCO-n dhe Këshillin e Evropës.

Po e them shumë e vonuar, për shkak se, mos të harrojmë se organizatat ndërkombëtare përbëhen prej shteteve anëtare, politikat e të cilave dirigjohen nga politika e brendshme e secilit shtet anëtar. Sa më shumë që po ndryshon politika nëpër botë, në kuptimin që po fiton më shumë përkrahje rryma ekstreme e djathtë në shtetet anëtare, aq më e ashpër dhe më e vështirë do të jetë për Kosovën situata për anëtarësim në organizma multilateral”, thotë ajo.

Deputetja Demaku, shpreh mendimin se Qeveria e Kosovës nuk është duke punuar mjaftueshëm dhe me seriozitetin e nevojshëm, në mënyrë që të bëhen aplikimet e duhura në organizatat ndërkombëtare.

“Sa më shumë që e shtyjmë procesin, gjendja do të vijë duke u përkeqësuar, për sa i përket kushteve, dhe jo duke u përmirësuar. Kështu që, nëse nuk aplikojmë, ne domosdo e diskualifikojmë veten”, konsideron Demaku.

Më 9 nëntor të vitit 2015, Kosova kishte dështuar të bëhet anëtare e UNESCO-s, duke mos arritur që të marrë më shumë se dy të tretat e votave të nevojshme të vendeve anëtare të kësaj organizate, të pranishme në punimet e konferencës së përgjithshme të saj.

Kosovës i munguan edhe 3 vota “për”. Paraprakisht, Kosova ishte ballafaquar me një fushatë agresive të Serbisë, e cila kishte kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.(REL)

Hoxhaj: Vuçiç po zhvillon luftë informative ndaj Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në një intervistë dhënë revistës Tageblatt, në Gjermani ka thënë se kryeministri serb Vuçiç se po zhvillon luftë informative të stilit rus. Hoxhaj tha se duke i përdorur mediat të cilat ai i kontrollon, Vuçiç ka nisur një luftë informative, me qëllim keqinformimin e opinionit në lidhje me Kosovën, provokimin e Kosovës dhe nxitjen e tensioneve të reja.

“Ne nuk duam ta ngrisim asnjë retorikë luftarake. Por në anën tjetër, Aleksander Vuçiç po zhvillon një luftë informative të stilit rus. Unë nuk dëshiroj ta ndërtoj politikën tonë të jashtme mbi gjuhë të rëndë, por mbi parime. Në gjashtë muajt e fundit ka pasur një zinxhir të ndodhive, me anë të të cilave Kosova është provokuar me vetëdije nga ana e Serbisë”, ka thënë Hoxhaj. Në këtë intervistë, Hoxhaj ka theksuar se Serbia ende nuk ka treguar asnjë interesim për të kërkuar falje për ngjarjet në Kosovë, apo në Bosnje dhe Kroaci.

“Edhe 17 vite që nga përfundimi i luftës, Serbia nuk ka treguar asnjë interesim për të kërkuar falje për atë që ka ngjarë ne Kosovë, por edhe në Bosnje dhe Kroaci. Unë e kuptoj zemërimin e njerëzve, të cilët ende kanë dike të afërm të zhdukur. Ne jemi të detyruar të ndërtojmë një urë në mes të një të kaluare të rëndë dhe një të ardhmeje më të mirë. Ne duhet të shohim përpara, por pa harruar se çfarë ka ndodhur”, ka thënë Hoxhaj.

Qytetarët shpenzojnë rreth 150 milionë euro në vit për shërim jashtë Kosovës

Qytetarët e Kosovës shpenzojnë rreth 150 milionë euro në vit për trajtime mjekësore jashtë vendit.

Këto shifra i ka dhënë kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, duke u thirrur në statistikat e bankës Botërore. Sipas tij, shërbimet mjekësore në vend vazhdojnë të mbesin të mangëta, andaj edhe qytetarët kërkojnë trajtime jashtë Kosovës.

“Konsiderojmë se për shkak të politikave që i kemi dhe mos marrjes së shërbimeve shëndetësore, shpenzohen 120 deri 150 milionë euro në vit nga qytetarët në spitale private (jashtë Kosovës). Sikur këto të holla të investoheshin brenda vendit, shërbimet do të ishin të mira. Këto shifra i ka publikuar Banka Botërore”, ka thënë Syla.

Përveç rasteve individuale të kërkimit të shërbimeve mjekësore jashtë vendit, një pjesë e tyre referohen për shërim jashtë edhe nga vend institucionet e Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, gjatë vitit 2016, ka ndarë rreth 6 milionë euro për programin e dërgimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Lulzim Uka, zyrtar për informim tha për Radion Evropa e Lirë se ka pasur 1958 aplikime për shërbime shëndetësore jashtë vendit, të formave të ndryshme. Prej tyre, kanë përfituar 1100 pacientë. Kurse shpenzimet për mbulimin e këtyre rasteve kapin shifrën prej 8 milionë euro.

“Buxheti ka qenë 6 milionë euro, derisa pjesa tjetër është bartur si borxh për këtë vit, gjë që dëshmon se ky buxhet nuk mjafton. Ministria e Shëndetësisë në baza ditore po punon në ngritjen e infrastrukturës në mënyrë që të ketë sa më pak nevoja për trajtim jashtë vendit”, ka thënë Uka.

Në anën tjetër, zyrtari për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu, ka thënë se rastet që nuk trajtohen brenda kësaj qendre, si institucion terciar referent për tërë Kosovën, referohen për trajtim jashtë vendit.

“Në kuadër të secilës klinikë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ekziston konsiliumi prej tre anëtarësh dhe drejtorit të klinikës, që shqyrtojnë sëmundjet që duhet trajtuar jashtë institucioneve publike shëndetësore. Sëmundjet ndërlidhen kryesisht me leukeminë, por edhe me transplantet që nuk mund të kryhen (këtu)”, ka thënë Fazliu.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, interesimi më i madh për trajtime jashtë vendit, është në citostatik me 187 aplikime, brakiterapi me 34, kardiologji me 637 aplikime.

Po ashtu, interesim për trajtim jashtë ka edhe për kardiokirurgji me 36 , kirurgji me 45, leukemi me 35, nefrologji me 23 aplikime, neurologji me 49, oftalmologji me 341, onkologji me 12, ORL me 42, ortopedi me 299, pediatri me 132 dhe të tjera, ku përfshihen 21 pacientë që kanë aplikuar për trajtim jashtë Kosovës. (REL)

Grupi i ekspertëve paralajmëron për nesër publikim të fakteve të reja për demarkacionin

Në emër të Grupit të ekspertëve të pavarur, në profilet zyrtare në Facebook është shpërndarë njoftimi se nesër do të publikohen fakte të reja që dëshmojnë që demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi u bë në dëm të kësaj të parës.

Gjeografët Florim Isufi e Shprejtim Bulliqi, ky i dyti edhe deputet në Kuvendin e Kosovës e kanë postuar njoftimin.

“Njoftojmë të gjitha mediat dhe të interesuarit e tjerë se nesër në hotelin Sirius në Prishtinë në orën 10:00, do të prezantohen fakte të reja shkencore mbi demarkimin e vijës kufitare Kosovë – Mali i Zi. Grupi i ekspertëve të pavarur”, thuhet në njoftim.

Ambasadori serb: Ja pse Turqia po lobon për hyrjen e Kosovës në UNESCO

Ambasadori i Turqisë në UNESCO, Darko Tanaskoviq, ka deklaruar se Turqia është ndër vendet me të zëshme që po lobon për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Siç thotë ai, kjo është pjesë e strategjisë së tyre të neo-osmanizmit.

“E gjithë kjo nuk po ndodh rastësisht, pasi që Serbia në vitet e fundit është vendi më stabil në rajon, respektivisht në hapësirën e ish Jugosllavisë. Për shumë kë kjo nuk është situatë normale dhe për këtë për shkak të agjendave personale, problemeve apo opozitës në vendet e tyre, tentojnë që të krijojnë destabilizim në rajon”, ka thënë Tanaskoviq për mediat serbe, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, është gati e pamundur që në mbledhjen e prillit të Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s të propozohet anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë.

“Nëse do të vije deri tek ky anëtarësim, Kisha Ortodokse serbe, manastiret, vendet e saj të adhurimit, varret do të gjendeshin në probleme të mëdha, pasi që do të përballeshin me presion të paparë”, thotë ai.

Duke folur për rolin e Vatikanit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Tanaskoviq ka thënë se “ka shumë arsye se pse nuk kanë pranuar”, pasi siç ka thënë ai, “Vatikani vlerëson se nuk është UNESCO vendi në të cilin duhet afirmuar pavarësia e dikujt, dhe për këtë ekzistojnë OKB apo BE”.

Mesiç nesër në AAK

Në partinë e Ramush Haradinajt nesër do të qëndrojë një mysafir i veçantë. Ish-Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç do të vizitojë AAK’në në ora 11:45.

“Ish-Presidenti kroat, Stipe Mesic, nesër do të vizitojë AAK-në. Ai do të takohet me zyrtarët e Kësaj Partise, në Selinë Qendrore të AAK-së, në ora 11:45”, thuhet në një njoftim për media të dërguar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Demarkacioni nuk i garanton Kosovës heqjen e vizave

Luftimi i korrupsionit mund të paraqitet si kusht edhe më i rëndësishëm sesa demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, në procesin liberalizimit të vizave për Kosovën, thonë njohës të çështjeve të integrimeve evropiane.

Sipas tyre, demarkacioni i kufirit më Malin e Zi, nuk i garanton Kosovës liberalizimin e vizave. Deri te ky konstatim, ata vijnë duke u ndërlidhur me kushtin tjetër të vënë nga Komisioni Evropian, i cili kërkon rezultate të prekshme nga institucionet e Kosovës që dëshmojnë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni Evropian në fillim të muajit maj të vitit të kaluar, në një raport të tij, pati propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën me kushtin e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Profesori i së Drejtës Evropiane, Avni Mazreku në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekon se kriteret e vendosura nga Komisioni Evropian në rastin e liberalizimit të vizave janë kritere ekstra të shpikura për shkak të problemeve të hapura e të pazgjidhura që i ka Kosova.

“Ne duhet të kuptojmë se Kosova nuk mund të ketë raporte normale më Bashkimin Evropian dhe nuk mund të merret asnjë vendim për Kosovën derisa ekzistojnë pesë mosnjohje, sepse sistemi i marrjes së vendimeve në BE është i tillë që në shumicën e rasteve sa i përket politikës së zgjerimit dhe politikës së jashtme kërkohet konsensus nga 28 shtete anëtare të Bashkimit Evropian”, thekson Mazreku.

Tutje, Mazreku sqaron se sa i përket liberalizimit të vizave përdoret një sistem tjetër i votimit që quhet ‘sistem i shumicës së kualifikuar dhe qëndrimi i shteteve është esencial’.

Sipas tij, edhe nëse Kosova e fiton atë shumicë të votave ende ekziston mundësia që në Këshillin e Bashkimit Evropian “katër shtete ta përdorin mekanizmin e minorancës bllokuese”, që sipas tij, “nënkupton që së paku katër shtete mund të thirren në emër të këtij mekanizmi, e të cilat shtete duhet të përfaqësojnë 35 për qind të popullsisë të BE-së”.

“Kjo do të thotë që askush, as në Bruksel dhe as në Prishtinë, nuk mund të paragjykojë vendimin final për liberalizimin e vizave dhe çështjeve tjera që kanë të bëjnë me Kosovën, pasi që kemi të bëjmë me qëndrim të shteteve, e qëndrimi i shteteve nuk mund të paragjykohet dhe rasti që këto pesë shtete nuk e kanë njohur Kosovën e dekompozon atë që unë e quaj raport normal me Kosovës dhe BE-së”, thekson Mazreku.

Përveç, demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si njëri nga kriteret për liberalizimin e vizave, rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos të nivelit të lartë, është një kusht tjetër për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian, për liberalizim të vizave.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë të kenë marrë masa konkrete në përmbushjen e këtij kriteri.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Avdullahu në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se janë arritur rezultate korrekte në luftën kundër korrupsionit dhe ky kriter nuk do të pengojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai thekson se parimisht për të marrë liberalizimin e vizave mbetet vetëm ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Konsiderojmë se për aq sa luftimi i korrupsionit është një çështje procesi, një çështje që nuk e ka një datë të caktuar, por kërkohet një luftim i vazhdueshëm i kësaj të keqe. Ajo si e tillë nuk është kusht që do ta pengonte liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës. I japim të drejtë vetës të konstatojmë kështu për shkak se Qeveria Mustafa që nga paslufta është më e pakorruptuara dhe ka bërë shumë në luftimin e kësaj dukurie të keqe”, ka theksuar Avdullahu.

Megjithatë, profesori i së drejtës evropiane Avni Mazreku, konsideron se qasja e institucioneve në luftën kundër korrupsionit është më tepër deklarative sesa konkrete.

Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dërguar Radios Evropa e Lirë, janë trajtuar 41 raste të korrupsionit të nivelit të lartë, duke ngritur aktakuza në 12 raste, me gjithsej 129 persona të profileve të ndryshme të përfshirë në këto aktakuza.

Policia e Kosovës dhe drejtoria për krime ekonomike, brenda të njëjtës periudhë kohore kanë arrestuar 40 persona të dyshuar për raste të korrupsionit dhe qindra kallëzime penale i kanë ngritur pranë institucioneve hetuese. (REL)

Rexhep Selimi: Ndihemi të rrezikuar nga Specialja!

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka paralajmëruar se rikthimi i Demarkacionit do ta rikthejë gazin lotsjellës në Parlament. Gjatë një interviste ai ka folur edhe për Gjykatën Speciale, duke thënë se pasi kjo e fundit “është një gjykatë e padrejtë” kushdo që ka luftuar për lirinë e Kosovës do të duhej të ndihej i rrezikuar 

Lëvizja “Vetëvendosje” do ta kundërshtojë deri në zhbërje Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi dhe aktivitetet në këtë drejtim do të koordinohen edhe me subjektet e tjera opozitare për të mos e lejuar kalimin e kësaj Marrëveshjeje në Kuvend.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën Zër deputeti i subjektit më të madh opozitar, Rexhep Selimi, duke shtuar se nuk e përjashtojnë as mundësinë e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend për të mos e lejuar kalimin e Demarkacionit.

Ish-eprori i lartë i UÇK-së, Rexhep Selimi, gjatë kësaj interviste ka folur edhe për mundësinë e ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale, duke thënë se personalisht asnjëherë nuk është ndier i rrezikuar nga drejtësia, por, siç ka thënë ai, nga padrejtësia ndihet i rrezikuar edhe tani.

“Përderisa Gjykata Speciale është e padrejtë, do të duheshit të ndiheshit të rrezikuar edhe ju, edhe të gjithë qytetarët e Kosovë, në veçanti kushdo që ka luftuar për lirinë e Kosovës. Po të kishte drejtësi, unë nuk do të ndihesha i rrezikuar. Nga padrejtësia rreziku vjen për të gjithë”, ka deklaruar Selimi

Racat njerëzore dhe kafshët – Vështrim nga Skënder MULLIQI

Zhvillimi e një bashkësie mundet të bazohet në dy premisa kryesore ,në etikë dhe në racën njerëzore.Shpesh ajo qe është moralizuese konsiderohet jo moralizuese.Dhe, secilit do të kishte hije që të përqafon ate që përfaqëson moralin . Edhe e dyta , puna jo morale të cilën po e bëjnë ata të cilët gjenden në krye të shtetit , po e konsiderojnë si punë morale dhe normale ?!Ky është egoizimi dhe kjo është jo etika e këtij pusheti . Te kthehemi pak qasjës së racës njerëzore dhe gjithë asaj e cila na dallon nga kafshet.Meqenëse dija nuk është e krahasueshme midis njeriut dhe kafshëve , sjelljet mund të korrespondojnë më njera- tjetrën apo mund të kene ngjashmeri! Eshte racionale shikimi në faktin dhe mendimin së qka e dallon njeriun nga majmuni. Edhe pse duhet të kemi konsideratë për majmunët në krahasim më disa grupe njerëzish të cilët me punën , veprimet por edhe më sjelljet e tyre ua kalojnë majmunëve . Me shumë këtu termi majmun përdorët për diqka te keqe . Majmunët mund të shkaktojnë dëme të vogla karshi llojit të vet . Kastat në pushtetin e Kosovës të formës autokratike gjithëqka e cila është e keqe dhe e dëmshme për shoqërinë demokratike po na e zbukurojnë sipas dëshirës së tyre. Ky pushtet jo që po punon keq secilen ditë e më shumë , por nuk po i mbron as vlerat nacionale dhe vlerat shtetërore . Na janë mbushur institucionet e shtetit më antivlera dhe më shund. Dhe, nuk është aspak e rastësishem sot kur në bisedë e siper i ndëgjon njerëzit duke thënë ” O fat të keq pat ky milet më këta njerëz të cilët erdhën në pushtet”. Erdhen vetëm për tu pasuruar , e për kullon kusurin punë e madhe”. Vendi ynë po i ngjanë njeriut të plagosur, të cilit në vend që ti ndihmojmë për tia shëruar plagën, ne ia lëndojmë edhe më shumë duke i rënë pikërisht në plagë. Nese vazhdojmë këtë rrugë nuk mund të themi së populli është I krejt i pa fajshem .Nese lejohet një marshim I tillë makabër karshi shtetit të ri të Kosovës , automatikisht mund të klasifikohemi si komb i qmendur. Kjo vlenë edhe për Shqipërinë , e cila ka rënë në dorë të klikës rrënuese të Edi Ramës. Ky regjim i Tiranës dhe regjimi i Prishtinës janë dy regjimet më të dëmshmet e pas luftës në Kosovë dhe pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. Me kontrabanda , me krim politik dhe krim ekonomik, me kultivimim të hapur të kanibist nuk mundemi të flasim së jemi afër Evropës së Bashkuar .Kjo qorbë e keqe nuk ka mundësi që rregullisht të na servohet si qorbë e mirë. Kështu si janë duke shkuar punet keq jemi largë trendeve zhvillimore dhe demokratike , dhe jemi largë emancipimit të përgjithshem . Çka mund tju themi gjeneratave të cilat po vijnë kur të japim llogari të gjithë para tyre ? Çka kemi punu, cilat janë të arriturat dhe qka po iu lëmë mbrapa ?Pak osë asgjë. Po iu lëm një Kosovë me gjendje te rendë ekonomike, dhe një Kosovë .e cila po humb territore në të katër anët,. Po humb territore më Maqedoni , po humb territior në veri të Mitrovicës , po humb territor më Mal të Zi!!!Është pikëlluese kur ata të cilët konsiderohen elitë e kombit , si akademyku ynë ,Hivzi Islami i cili është plakur duke mos bërë asgjë të hajrit , ti shihet sherri para së të shkon në botën e amshuar, duke shitur tokën e shenjtë të Kosovës. Bukur shumë edhe qehren e kishe të keqe , së qehra dhe pamja fizike e fletë shumë edhe për karakterin e njeriut.Po ia mundësojmë Serbisë realizimin e dëshirave të saja në kushtet të paqës. Akedmiket servilë të Thaqit , Mustafës dhe Veselit siq je edhe Ti z. Islami nuk i duhen Kosovës. Besoj së nga ky labirint në të cilën është futur Kosova ka një rrugëdalje, e rrugëdalja është që sa më parë të mbahën zgjedhjet nacionale bashkë më ato locale në vjeshten e këtij viti. Dhe , zgjedhja tjeter janë gjenerata e re e cila po prêt të dera. Ka ardhur koha që gjenerata e re të marrë përgjegjësinë për të ardhmën tonë .Politikanët e etabluar pa asnjë kualitet e kan zymtësuar të ardhmën tonë.Të kompremetuarit e kesaj skene politike , e kan kompremetuar edhe informimin e drejtë public.Kjo kastë politike janë promotorët e rrënimit të demokracisë së brisht në Kosovë…Vetëm të rinjët mund të rigjallerojnë qdo gjë , së garniturat e vjetra dhe të kompremetuara politike, është evidente së nuk kan mundësi dhe as dije të veprojnë mirë. Na duhet lufta për vlera sepse vetëm kështu mund të lindë një jetë e re në Kosovë dhe në Shqipëri…

Përballë Sali Berishës! Nga Arbana Xharra

 Më duhet t’i përgjigjem Sali Berishës, për shkak të respektit që kam për lexuesit e gazetës dhe të atyre mijëra qytetarëve të shtetit tim, të cilët në faza të ndryshme të jetës së tyre kanë besuar te ai. Është e pazakontë që një ish-president, i larguar nga pushteti duke djegur vendin e tij, dhe një ish-kryeministër i larguar nga pushteti me një bilanc të rëndë të vrasjeve nga korrupsioni dhe pushkatimeve politike në mes të Bulevardit të replikojë publikisht për statusin e një gazetareje si unë. Unë nuk jam personalitet politik kombëtar apo ndërkombëtar që t’u kushtohet rëndësi edhe postimeve në rrjetet sociale. Unë jam gazetare dhe është normale që të reagohet ndaj shkrimeve të mia dhe jo ndaj mendimeve të mia. Ky është një mbivlerësim që, megjithatë, nuk e meritoj. Ajo që nuk kemi merituar si gazetë “Zëri” është padia, të cilën djali i Sali Berishës ia ka bërë disa vjet më parë, rreth një shkrimi hulumtues për linjën e interkoneksionit Shqipëri – Kosovë, ndërhyrja e të cilit kishte detyruar Sali Berishën të anulonte tenderin që nuk po shkonte tek kompania, të cilën ai e dëshironte. Ka pasur për këtë shqetësim zyrtar dhe nga qeveria gjermane dhe në një letër të ish-ambasadores gjermane në Tiranë që, sipas shtypit, ka përmendur dhe ndërhyrjet e djalit të Sali Berishës për këtë tender. Djali i Sali Berishës na ka paditur dhe nuk e ka fituar këtë gjyq ndaj gazetës, të cilën unë e drejtoj. Ky është i vetmi ballafaqim imi me të. Përtej kësaj, përgojimi që Sali Berisha ia bën gazetës “Zëri” duke e quajtur “Zëri i Popullit” në analogji me gazetën e ish-komunistëve shqiptarë, dua t’i them se “Zëri” është një gazetë e pavarur dhe shumë rëndësishme e Kosovës. Sa për të qenë komuniste si gazetare, dua t’i them Sali Berishës se unë punoj prej 16 vjetësh si gazetare, gati sa gjysma e kohës që ju keni qenë komunist i Partisë së Punës së Shqipërisë. Edhe sikur “Zëri” të ishte vërtet komuniste, nuk do të mundë të krahasohesha me ju. Sa i përket raporteve të mia me Edi Ramën, për ato i di më mirë lexuesi i gazetës i cili lexon qëndrimet tona kritike për të dhe sidomos për qëndrimin e fundit të tij në takimin e Nishit me Aleksandër Vuçiqin. Madje shkrimet e mia i kanë botuar në ballinë ato që quhen “Portale të Shkëlzenit” në Tiranë, duke më cituar si “gazetarja që ka dekoruar Obama kundër Edi Ramës”. Të lutem ki mirësinë të mos e quash tash dhe Michelle Obamën “Ndrikull” të Sorosit vetëm pse më ka dekoruar dhe ka dalë në foto me mua, edhe pse dëshira juaj për të qenë edhe unë aleati i një armiku tuaj, më bën të qesh dhe të kuptoj çdo të thotë të kesh qenë tridhjetë vjet komunist, stalinist në Shqipëri. Me logjikën tënde unë jam agjente e Sorosit, me logjikën e mikut tënd Erdogan jam e Gylenit, me logjikën e Vuçiqit jam ushtare e Thaçit, ndërsa për këta krerët shqiptarë të ISIS-it jam agjente e SHBA-së. Kjo është mënyra si mendojnë udhëheqës paranojakë, të cilët urrejnë lirinë e shtypit dhe njerëzit e lirë. Unë argëtohem me tipa të tillë. Sa i përket drogës në kohën tuaj, në Shqipëri, gazeta ime ka një reportazh të gjatë nga Lazarati, me fakte konkrete nga terreni dhe me deklarata mallëngjyese të prodhuesve për parajsën tuaj politike atje. Kjo nuk e nderon Edi Ramën që ka humbur kontrollin mbi territorin pas mbylljes së Lazaratit, por nuk ju bën aspak të besueshëm. Më së paku më dukesh si një investitor i dëshpëruar i industrisë së drogës. Në fund, por jo e fundit për nga rëndësia, dua të flas pak edhe për rolin tuaj lidhur me nevojën për t’i përdorur politikisht lidhjet me botën myslimane. Ne jemi të dy nga krahina e Gjakovës, pavarësisht se na ndan një kufi shtetëror. Emri juaj në Kosovë ka qenë si shpresë në fillim të viteve ’90-të kur ne kërkonim ndihmë nga Perëndimi për t’i shpëtuar Serbisë. Shqipëria nuk kishte shumë mundësi të na ndihmonte fizikisht dhe materialisht, por mund të na ndihmonte politikisht duke tentuar të bëhej një vend proevropian, me standarde perëndimore. Pesë vjetët e qeverisjes suaj ia hoqën Shqipërisë shanset për të qenë një vend perëndimor, e përfshin atë në listën e zezë të vendeve që kontrabanduan naftë për regjimin nën embargo të Millosheviqit, siç vetë edhe e ke pranuar, deformove demokracinë në Shqipëri dhe u armiqësove me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në fund kur e pa vetë se nuk kishe ku të shkoje, ke bërë dy gjëma të mëdha për kombin shqiptar. E para, ke dashur të eksportosh krizën tënde politike në Kosovë, duke tentuar të minosh autoritetin e presidentit Ibrahim Rugova me qëllim destabilizimin e Kosovës dhe e dyta, ju dorëzove ushtarëve të Allahut të Bin Ladenit, duke pajisur me pasaportë të shtetit shqiptar vëllanë e Al Zawahrias, pasuesit të Bin Ladenit në krye të “Al Qaeda”-s dhe dhjetëra drejtuesve të logjistikës kriminale të asaj organizate. Ke tentuar sipas dëshmive të bashkëpunëtorëve të tu të lidhesh në vitin e zi – 1997 me krahun radikal të “Al Qaeda”-s për të shpëtuar nga humbja e pushtetit dhe bash për këtë ke qenë duke e varrosur Kosovën. Ikja jote nga pushteti ka qenë fati i Kosovës dhe izolimi juaj deri në çlirimin e Kosovës dhe disa vite më pas ka qenë nevojë për të shpëtuar nga një ngatërrestar ballkanik. Ibrahim Rugova nuk ta hapi derën në vitin 2000 për të ardhur në Kosovë në përpjekje për të dalë nga izolimi ndërkombëtar dhe kjo nuk ka qenë hakmarrje për çfarë i ke bërë, por një vendim i një lideri properëndimor të kombit shqiptar që e ndante nga ty, përpjekja për ta djegur Shqipërinë dhe Kosovën që të shpëtoje karrigen tënde. Kjo është historia jote e vërtetë me Kosovën dhe shqiptarët. Unë nuk jam e sigurt nëse ajo fjala e urtë “si nena e Zeqos në maje të thanës” që ju e përdorni për mua është korçare apo jo, por jam gati ta quaj edhe gjakovare kur shikoj çfarë degradimi ka njeriu që 25 vjet më parë ngjallte shpresa në Kosovë dhe në Shqipëri. Zoti e ka ruajtur Shqipërinë dhe Kosovën nga udhëheqës si ju. Dhe shpresoj se do ta ruajë edhe në të ardhmen.

Veseli: Kam takuar Trumpin, Kosova ka mbështetjen e SHBA

Kadri Veseli është lideri i parë shqiptar që e takon Presidentin Trump.

Në një postim të tij në Facebook, ai nuk ka dhënë shumë shpjegime për këtë takim.

Foto është realizuar gjatë një takimi që ai pati me presidentin amerikan ditë më parë.

Sipas Veselit, kjo foto dëshmon se Amerika gjithmonë mbetet mik i mirë i Kosovës.

Të dashur miq, sapo pranova fotografinë zyrtare nga takimi që pata ditë më parë, në Washington, me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Kosova është e bekuar që ka mbështetjen amerikane dhe ky takim konfirmoi besimin tim dhe tuajin për aleancën e përjetshme në mes të Amerikës dhe Republikës sonë”.

Kadaj-Bujupi paralajmëron tensione nëse Demarkacioni shkon në Kuvend

Donika Kadaj-Bujupi, deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se rezistencën për Demarkacionin do ta vazhdojnë, sepse sipas saj nëse marrëveshja për Demarkacionin implementohet do të ketë rrezik për vendin.

“Ju e patë se janë tre anëtarë të këtij Komisioni që e kundërshtuan këtë marrëveshje”.

“Rrjedhimisht rezistenca jonë do të vazhdojë, rezistenca jonë do të jetë edhe më e organizuar edhe më e fuqishme, që kjo çështje të mos kalojë në Kuvendin e Kosovës”.

Këto komente Kadaj-Bujupi, i ka bërë në Ballë për Ballë të Orës së Fundit në KlanKosova.

“Bashkë me qytetarët do të vazhdojmë tutje që pavarësisht se çfarë ata nënshkruajnë nuk kanë të drejt të nënshkruajnë marrëveshje kapitulluese për vendin”.

Kadaj-Bujupi, ka folur edhe për atë se si do të veprojnë nëse Demarkacioni shkon të enjten në Kuvend.

“Nuk besoj se do të ishte veprim i matur nëse përpiqen që këtë variant tashmë të konfirmuar si të gabuar ta sjellin në Kuvend, sepse kjo do të risjellë tensione të reja dhe rezistencë më të fuqishme”.

“Nuk do të flas se si do të rezistojmë do të shihet”.

“Ne jemi kundër këtij versioni të gabuar dhe të dëmshëm që na e dëmton territorin”.

“Përgjigja jonë do të jetë e fuqishme edhe jashtë edhe brenda Kuvendit, ne do të jemi me popullin”.

“Demarkacioni nuk kalon – për çfarëdo shantazhi për blerje ose shitje të votave do të ketë pasoja”.

Berisha e quajti “ndrikull sorosiane portalesh”, Arbana Xharra i përgjigjet(Foto)

Pas akuzave të bëra nga ish-Kryeministri Sali Berisha, ka reaguar edhe gazetarja shqiptare nga Kosova Arbana Xharra.

Në akuzat e tij, ish-Kryeministri Berisha e quajti gazetaren “ndrikull sorosiane” dhe simpatizante të kryeministrit Edi Rama.

Por në postimin e saj gazetarja Xharra shprehet se përgjigjen e plotë për ish-Kryeministrin do ta japë të nesërmen me argumenta dhe dëshmi të gjitha akuzat.

“Qenka marr me mua “Doktori”, sot s’kam vakt me u marr me ty. Nesër t’i numëroj argumentet me dëshmi”, shkruan Xharra.

Prishtina: Ndikimi rus po rritet edhe në Kosovë

Autoritetet në Prishtinë kanë tërhequr vërejtjen për, siç thonë, ‘rritjen e ndikimit rus në rajon’ dhe rrjedhimisht, sipas tyre, ‘edhe në territorin e Kosovës’.

Një paralajmërim të tillë e ka bërë gjatë punimeve të një konference të Komisioneve të Punëve të Jashtme të vendeve evropiane, ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës Edita Tahiri, duke theksuar se ‘Rusia ka shfaqur hapur ambiciet për të rritur ndikimin në rajon’.

Rritja e ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, sipas zyrtarëve në Prishtinë, po bëhet në kohën e, siç thonë, ‘problemeve të brendshme të BE-së dhe paqartësisë së perspektivës evropiane për vendet e rajonit”.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Valon Murtezaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se “aktivitetet destruktive të cilat po ndodhin në rajon kanë prapavijë politike dhe tendenca ruse”.

Treni nga Beogradi që ishte nisur për Mitrovicë

Sipas tij, “përpjekja për hyrjen në Kosovë e trenit të nisur nga Beogradi” pak javë më parë, ‘ka shenjat e ndikimit rus’.

“Ne kemi të drejtë të besojmë për një involvim më të madh, për një prani të aktiviteteve destruktive në Kosovë dhe rreth Kosovës. Kjo duke pasur parasysh edhe të dhënat e fundit që lidhen me zhvillimet në Malin e Zi, pra me përpjekjet për atentat ndaj kryeministrit pak muaj me parë”.

“Po ashtu edhe këtu në Kosovë – lidhur me raportimet e ndryshme, prezencën e disa medieve me fondacione ruse, po që lidhen pastaj me zhvillime rreth UNESCO-s, aplikacionin e mundshëm të Kosovës e të tjera. Të gjitha këto na bëjnë të besojmë që kemi një prani të shtuar të aktiviteteve dhe ndikimit rus në këtë pjesë të Evropës”, tha Murtezaj.

Prej afro 18 vjetësh, Kosova është vënë nën mbikëqyrjen ushtarake të NATO-s dhe aktualisht një numër prej mbi 5 mijë trupash, përfshirë edhe disa qindra nga SHBA-ja, vazhdojnë të ofrojnë sigurinë për vendin.

Zyrtarët e NATO-s kanë deklaruar se “misioni paqeruajtës në Kosovë vazhdon të garantojë një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët, pa dallim”.

Kosova ka hyrë në një marrëdhënie kontraktuale me BE-në përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe autoritetet në vend thonë se ‘janë të përkushtuara në rrugën e integrimeve evropiane’.

Megjithëkëtë, analistët politikë kanë deklaruar se vonesat në proceset integruese për vendet e Ballkanit Perëndimor paraqesin rrezik nga ndikimet e tjera.

Analisti Artan Muhaxhiri, thotë se Rusia po përpiqet të ketë ndikimin e saj në disa vende të Ballkanit të cilat tradicionalisht kanë qenë të lidhura me Rusinë dhe rrjedhimisht të ketë më shumë ndikim në Evropë.

“Është edhe ndikimi i madh i Rusisë e cila edhe përmes Ballkanit dëshiron që të faktorizohet edhe në Evropë edhe me shumë, prandaj dihet se aleati kryesor i Rusisë është Serbia”, tha Muhaxhiri.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve ushtarake dhe sigurisë Naim Maloku, tha për Radion Evropa e Lirë se ‘deklaratat e politikanëve në Kosovë se Rusia po përpiqet të ndikojë në Ballkan dhe edhe në Kosovë’ po bëhen vetëm për konsum të brendshëm.

“Unë mendoj se Kosova është shumë e vogël për të dhënë vlerësime të tilla. Politikanët këto deklarata po i japin për konsum të brendshëm, për t’u paraqitur përpara qytetarëve të Kosovës se janë ndonjë faktor që mund të japin edhe vlerësime të tilla. Rusia, zgjerimi i ndikimit të saj në Ballkan, këto janë çështje që të tjerët merren me to [NATO -SHBA- RUSIA] këto janë fuqi të mëdha që merren me to“, tha Maloku.

Që prej shpalljes së pavarësisë së saj më 2008, Kosova nuk është njohur nga 5 vende anëtare të BE-së dhe njëkohësisht edhe nga Rusia, një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe aleate e ngushtë e Serbisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndërkaq, të hënën i bëri thirrje Moskës zyrtare “që ta njoh pavarësinë e Kosovës’ duke e cilësuar këtë hap “si lehtësim edhe për vet Serbinë”.

JEMI TË PARËT – Nga Faton MEHMETI

Pothuaje ska mbetur asgjë pa u thënë, është shkruar dhe vazhdon të shkruhet shumë. Vlerësohet se është rregull i pashkruar, aty ku nuk lexohet shkruhet shumë, mbase për të mbushur boshëllekun e leximit. Sdo mend se për kokë banori jemi të parët në shumë fusha, kryesisht në ato që sduhej të ishim . Të parët në korrupsion, krim të organizuar, të parët për nga optimizmi, ndonëse punët i kemi më keq se çdo popull tjetër. Jemi të parët dhe mbase të vetmit që festojmë 1 majin, atë ditë kur bota proteston, si për ironi populli me numrin më të lartë të të papunëve, ne festojmë ditën e punëtorëve. Festojmë çdo festë që përmendet, edhe pse disa nuk i kuptojmë, ska rendësi përmbajtja, me rëndësi të kemi arsyje për të festuar. Satisfaksioni i të qenit i varfur është lumturia, sa më i varfur aq me i gëzuar është shqiptari, kjo shpikej e popullit tone ska pse mos të konkuroj për kuriozitetin e shekullit. Festojmë 14 shkurtin, jo për ndonjë gjë por për t’iu versul moteleve, duke anashkaluar motivin e saj të vërtetë për dashuri, e shtrtati me dashurinë nuk janë edhe aq të përafërtë. Mjafton një trëndafil,

një përfqafim për të bërë të lumtur dike, pa qenë nevoja e motelit.

Nuk harrojmë rutinën e përditshme : të zgjohemi në ora 12 të drekës, të iu vëruslemi kafeneve, të përgojojmë të gjithë nga i madhi e më i vogli, e në mbrëmje duke shar politikën . Jo që politika është e mirë, por asnjë kontribut nuk e jep askush që këta ( politikanët) të shporrën nga pushteti. Më kujtohet kur dikush doli në protestë kundër varfërisë, dhe askush nuk iu bashkangjit, të tjerët bënin sehir dhe shtremëronin lugën e makiafove nën tymin helumes të cigareve.

Pas kafeneve destinacion i dytë mbetet fakulteti, kryesish privatë, aty ku është dendur rinia, sa për të thënë se po kryejmë dicka. Duke mbartur mbi vete mëkatin e politikës së gabuar shtetërore, të rinjtë ashtu sic hyjnë edhe mbarojnë fakultetin, dhe në fund marrin një diplomë sikur legjitimon analfabetizim e tyre. Pataj ata zën vende pune ( ata që japin lekë ose kanë të njohur ),marrin paga, sikur i shpërblejmë për padijen e tyre, pastaj PISA na nxjerr në vendin e parë për cilësi të dobët. Sikur jemi të betuar që vendin e parë mos ta lëshojm ë dot, sikur ngrehim kokën lartë e themi : shikoni kush jemi.

Mos dhashte Zoti të sëmurësh, pasi duhet ta kesh xhepin me para ndryshe do vdesësh nëpër korridore të spitaleve. Mantilbardhët më parë të sjellin vdekjen së të shpëtojnë jetën, disa nga padituria e disa nga mosngopësia me korrupsion. Edhe këtu jemi të parët për nga cilësia e dobët, vendi i parë në Evropë për vdekje të foshnjeve, dhe të rritureve nga mungesa e shërimit.

Po i them edhe nja dy fjalë për art, aty ku padyshim jemi të parët. Jo për ndonjë cilësi, por për kokë banori jemi të parë në Evropë ( mbase edhe ne botë ) që 10 % e popullësisë janë artista, VIPA, njerëz që skenën e gjeten si vatër strehimi . Njerëz qe smunden të gjejne veten askund, e shkolla “ nuk iu eci ” u përplasën në skenë, me fjalë banale dhe me veshje skandaloze prodhojne “art ”.

Në këtë vend tallava, ska rëndesi që jemi të varfur, të izoluar e të mjerë, mjafton që po kënaqemi që jemi të parët.

Opozita nuk i pranon gjetjet e Komisionit, vazhdon kundërshtimin e demarkacionit

Prezantimi i gjetjeve të Komisionit shtetëror për matjen e territorit, sipas të cilave, Kosova nuk ka humbur territor me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk i ka zbutur tensionet pushtet – opozitë në lidhje me këtë çështje.

Komisioni shtetëror, paraqiti të gjeturat, të cilat ende nuk janë finale, por që konstatojnë se me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, territori i Kosovës nuk është zvogëluar për 8 mijë hektar, siç pretendon opozita.

Kryetari i Komisionit, Hivzi Islami, njëherësh kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës tha se në vitin 1981, Kosova kishte 10.887 km2. Kurse nga viti 1982 – 2007, territori ishte 10.908 km2.

Mirëpo në bazë të obligimeve ndërkombëtare dhe Planin e Ahtisaarit, pas demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe sidomos me Maqedoninë, kanë ndodhur ndryshime në zonat kadastrale në kufirin me Maqedoninë, çka ka sjell si përfundim se Kosova ka sot një madhësi tjetër, por nuk bëhet fjalë për humbje të territorit.

“Madhësia territoriale e Republikës së Kosovës sot është, 10.905.25 km2”, ka thënë Islami.

Një nga argumentet e vazhdueshme të opozitës ishte pika e kufirit me Malin e Zi ndodhet në Çakor.

Por, Komisioni, bazuar në agjencitë pjesëmarrëse, pastaj në disa libra e harta të vjetra historike erdhi në konkludim se Çakori dhe Bjellua janë jashtë territorit të Kosovës, që nënkupton se i takojnë Malit të Zi.

Zëdhënësi i këtij Komisioni Tomor Çela, tha se të gjitha gjetjet dëshmojnë se Çakori ndodhet në Mal të Zi.

“Çakori gjendet në pjesën, jashtë kufirit, pra jashtë territorit të Kosovës… . Pjesa burimore e Lumbardhit të Pejës, Bjelluha, gjendet jashtë territorit, apo i takon hapësirës administrative të Malit të Zi”’, ka thënë Çela.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i opozitës. Deputetja Albulena Haxhiu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje i tha Radios Evropa e Lirë se Komisioni ishte i njëanshëm dhe ishte në shërbim të qeverisë aktuale.

Ajo ka kundërshtuar gjetjet e Komisionit, sipas të cilave, Çakori është pjesë e Malit të Zi. Njëherësh, Haxhiu ka thënë se nëse qeveria provon ta kalojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi në Kuvend, do të përballet me kundërshtimet e ashpra të opozitës.

“Zellin për të falur territor ne do ta kundërshtojmë fuqishëm, si brenda Kuvendit ashtu edhe jashtë tij. Nëse qeveria tenton që të riprocedojë marrëveshjen e njejtë, që është një mashtrim i radhës, atëherë ne natyrisht që do t’i përgjigjemi me konsistencë në kundërshtim, sikurse edhe në seancat e kaluara”.

“Natyrisht që kjo do të prodhojë tensione në vend, por për këtë përgjegjëse do të mbahet qeveria e Mustëfës”, ka thënë Haxhiu.

Edhe anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj ka kundërshtuar gjetjet e prezantuara, duke thënë se rezultatet ishin ato që i kishte kërkuar kryeministri Isa Mustafa kur e kishte emëruar këtë Komision.

“Nuk ka asnjë lloj legjitimiteti rezultati i këtij Komisioni. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrimet e veta dhe do ta kundërshtojë normalisht versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë Nitaj.

Gjetjet e Komisionit, pritet të vihen edhe në debat publik para se t’i procedohen qeverisë.

Më pas, qeveria pritet që të riprocedojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.

Pak kohë para se Komisioni të dilte me gjetjet, njëri nga anëtarët e tij, Fitim Humolli, është dorëhequr. Ai ishte i vetmi gjeograf në këtë Komision.

Dorëheqjen e tij, Humolli e kishte arsyetuar me metodologjinë e punës që bëhej në këtë Komision.

Humolli e arsyetoi dorëheqjen me, siç tha, “anashkalim të institucioneve profesionale në punën e komisionit”.

Po ashtu, gjetjet e prezantuara nga Komisioni, nuk janë pranuar as nga anëtari tjetër, Agron Luta, i cili i ka quajtur ato si joprofesionale.

Prishtina dhe Podgorica, nënshkruan Marrëveshjen për shënjimin e vijës më 25 gusht të vitit 2015 në prani të faktorit ndërkombëtar.

Por, menjëherë pas, kjo marrëveshje pati nxitur kundërshtimin e fuqishëm të opozitës. Ky reagim dhe kundërshtim opozitar në Kosovë u shtri brenda Kuvendit të Kosovës dhe nëpër rrugë, përmes protestave.

Opozita, pretendon se me këtë marrëveshje, Kosova po humbë 8 mijë hektarë tokë.

Po ashtu, edhe një grup i deputetëve nga partitë në pushtet dolën kundër kësaj marrëveshjeje. Përderisa Qeveria nuk siguroi votat as të Listës Serbe, subjekt ky në përbërjen e koalicionit aktual që përfaqësohet në Kuvend me 11 deputetë.

Në rrethana të tilla, koalicioni qeverisës u detyrua që të heq dorë përkohësisht nga ratifikimi i kësaj marrëveshje dhe pati formuar Komisionin shtetëror për matjen e territorit.

Përderisa kundërshtimet në Prishtinë vazhdojnë, Komisioni Evropian i ka përcaktuar Kosovës demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si kushtin kryesor për heqjen e vizave.

Riprocedimi i demarkacionit për ratifikim në Kuvend është paralajmëruar të ndodhë gjatë muajit mars. (REL)

Islami: Kosova ka 10 mijë e 906.25 kilometra katrorë, nuk kemi humbur territor

Kryetari i Komisionit për Matjen e Territorit të Kosovës ka konstatuar se Kosova nuk ka humbur territor si pasojë e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Zëdhënësi i këtij Komisioni Tomorr Qelaj, gjatë prezantimit u është referuar dhjetëra dokumenteve, duke konstatuar se Çakorri nuk i takon Kosovës, por Malit të Zi. Në përmbyllje të prezantimit të të gjeturave, Hivzi Islami ka thënë se Kosova ka 10. 906.25 km2, nga matjet që janë bërë.

“Nga prezantimi që bëmë del ky konkludim si pjesë e draft-raportit. Në mbështetje të të dhënave, e argumenteve dhe gjetjeve profesionale që u ofruan nga institucionet përkatëse në procesin e matjes si dhe verifikimit të mbulueshmërisë me dokumentacion administrativ e hartografik, Komisioni i ekspertëve për Matjen e Territorit e njofton Qeverinë e Kosovës se madhësia territoriale e Republikës së Kosovës para 25 gushtit 2015 përkatësisht nga vitit 1962 deri më 1981 është 10 mijë e 887 km katrorë. Në bazë të obligimeve ndërkombëtare që ka marrë shteti ynë, në demarkacionin e kufirit në mes të Republikës federative të Jugosllavisë. Prandaj madhësia territoriale e Republikës së Kosovës sot është 10 mijë e 905.25 km katrorë”, ka thënë Islami.

Kërcënohet me jetën e fëmijëve gazetarja Arbana Xharra

Gazetarja Arbana Xharra ka marrë kërënime përmes profilit të saj në rrjetin social.

Kërcënuesi me emrin Ebu Duxhane i ka dërguar kërcënim për fëmijët në shqip të ilustruar me foto të ekzekutimeve të ISIS.

Arbana Xharra i është përgjigjur:

“Sa trimin e kish pase ky vend. Ani kercenojne me femije. Edhe jane t’u me tute, ethet ne bark mi kane shti. Shume zor e ki me me gjete. Cka te bone shperlarja e trurit. Matrapaz!”

NYT: Rusia po nxit tensione në Kosovë

Rusia po nxit mosmarrëveshje në Ballkan, teksa NATO-ja po ruan një paqe të vështirë, shkruan sot The New York Times, në një artikull që flet për ndikimin negativ të Moskës në Kosovë gjatë kohëve të fundit.

“Në pyjet e dendura përgjatë kufirit të kontestuar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, një patrullë e ushtarëve amerikanë të NATO-s ecin me mundim nëpër dëborë dhe baltë, duke vëzhguar për kontrabandistë apo dikë tjetër që mund të bëjë përpjekje për kalimin e kufirit. Duke pasur parasysh trashëgiminë e përgjakshme të kësaj zone, situata është e qetë, të paktën deri tani”, shkruan gazeta njujorkeze.

Sipas NYT, “Rusia po ushqen tensione në një zonë që dikur konsiderohej si triumf i diplomacisë amerikane”.

“Në Serbi e Kosovë, inatet e vjetra po rishfaqen, teksa rajoni i Ballkanit që ka përjetuar aq shumë vuajtje gjatë shekullit të kaluar po bëhet përsëri i rrezikshëm. Edhe një herë, Rusia është duke ushqyer tensionet, teksa kërkon të shfrytëzojë situatën politike në një zonë që konsiderohej dikur si një triumf i diplomacisë amerikane – por që tani mbetet një sfidë në rritje e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në shkrimin e NYT.

“Rusia sheh që Perëndimi kërkon të ndërhyjë në oborrin e shtëpisë së saj, dhe presidenti Vladimir V. Putin dëshiron të tregojë se edhe ai mund t’ia kthejë. Ata e shohin Ballkanin si pjesë të lënë pas dorës së Perëndimit, dhe ata e përdorin atë për shtuar fuqinë rreth këtij projekti”, ka thënë për NYT, Dimitar Bechev, një ekspert i Rusisë dhe Ballkanin dhe kreu i Institutit të Politikës Evropiane në Sofje të Bullgarisë.

Në mungesë të ushtrisë së tyre, shkruan NYT, shumica e Shqiptarëve etnikë shohin trupat e NATO-s si mbrojtës të shtetit të tyre në Kosovë.

“Ata janë këtu për të na mbrojtur neve nga serbët kur ata duan të kthehen prapë,” është shprehur për të përditshmen amerikane Belkiza Sahatqiu, 46 vjeçe, nënë e tre fëmijëve, e cila punon në një dyqan këpucësh në pjesën serbe të Mitrovicës.

“Por, shumë serbë që jetojnë në Kosovë i përshkruajnë forcat aleate më shumë si okupues se sa mbrojtës, ka thënë për NYT Lilijana Miliç, e cila ka një fermë përgjatë rrugës magjistrale Mitrovicë – Prishtinë.

“Ata nuk po mbrojnë askënd, pa dyshim jo neve,” tha ajo. “Ata kanë ardhur të okupojnë këtë tokë, dhe tani qëndrojnë në bazat e saj. Ku ishin ata kur njerëzit u ndiqën nga shtëpitë e tyre në pikë të ditës?”, ka thënë Miliç.

Në të njëjtën kohë, Miliç i fajëson politikanët serbë në Beograd për fatkeqësinë e serbëve të Kosovës. “Ata vetëm flasin, flasin, flasin, flasin për të na mbrojtur neve,” ka thënë ajo për NYT, “por e gjithë çfarë ata bëjnë është të merren me interesat e tyre”.

Më 20 shkurt 1989 minatorët e Trepçës nisën grevën historike

Më 20 shkurt 1989 minatorët e Trepçës kishin filluar grevën e urisë në mbrojtje të Kosovës nga synimet e errëta të regjimit i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu në fakt fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë.

Ishin rreth 1,300 minatorë që kishin zbritur në galeritë e minierës, ku do të qëndronin deri më 28 shkurt të vitit 1989, të vendosur të flijonin jetët e tyre për një të ardhme më dinjitoze të brezave që do të vinin.

Greva e minatorëve të Trepçës sensibiloi të gjithë shqiptarët në Kosovë, të cilët iu bashkuan atyre në revoltën e arsyeshme, që tërboi regjimin e Beogradit, i cili do të fillonte marrjen e hapave represivë ndaj tyre dhe shqiptarëve, që përfundoi me luftën e UÇK-së dhe mbështetjen e NATO-s, duke ndjekur përfundimisht më 1999 forcat serbe nga Kosova.

Mbi 1200 minatorë u dënuan me nga 30-60 ditë burgim, ndërsa ndaj 14 të tjerëve, bashkë me udhëheqjen e Kombinatit Trepça dhe Azem Vllasin, si figurë politike, u zhvillua një proces monstruoz politik.

Greva historike e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 qe shndërruar në rezistencë gjithëpopullore demokratike e paqësore kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën. Ajo ngjalli interesimin e botës për Kosovën dhe e bëri të njohur se kishte një problem shqiptar të pazgjidhur.

KRYETARI I AKADEMISË SË SHKENCAVE TË KOSOVËS HIVZI ISLAMI – 55 PYETJE AKUZA PËR ‘ATIN’ E KOMBIT REXHEP QOSJA

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Dr. Hivzi ISLAMI, ka parashtruar 55 pyetje, në fakt, akuza për Rexhep Qosjen. Kreu i Akademisë përdorë termat nga më të rëndat për Qosjen. Express sjell të plot shkrimin e plot të Islamit.

I vetëquajturi At i kombit; i vetëshpalluri mendja e kombit; i vetëproklamuari I Madhi dhe më I Madhi i kombit; egocentristi i kompleksuar, halucinanti e linçuesi; psikopati për skena e prapaskena; megalomani, narcisoidi, frikacaku, gënjeshtari, hipokriti, shpifësi monstruoz dhe intriganti i kombit; ndotësi i mjedisit kulturor, kombëtar dhe shoqëror; i sëmuri i botës shqiptare; përçarësi më i madh i kombit; kacagjeli nihilist; denoncuesi i të gjitha personaliteteve të rëndësishme të letërsisë, të kulturës, të shkencës dhe të politikës shqiptare andej e këndej kufirit; anti Kadare dhe anti Rugovë i tërbuar; projektuesi paranoik i fushatave; mjeshtri për t’i projektuar të zezat e veta te të tjerët; servili e shërbetori i të gjitha pushteteve; moralisti i pamoralshëm; mësuesi pa kredibilitet; ndërgjegja e përbaltosur; pushti i kombit; njeriu pa miq dhe shokë; shkatërruesi i çdo raporti njerëzor; njeriu pa asnjë ndjenjë humane; trimi pas betejës së fituar nga të tjerët; denoncuesi policor i Akademisë; shkruesi zgjërdhishëm i ”Morfologjisë…”; nga institucionet shkencore e kulturore denoncuesi i parë i demonstratave të vitit 1981; hedhësi i benzinës në zjarr në kohën e ”revolucionit të vonuar demokratik” në Shqipëri; migranti i rruar e i maskuar; vajtuesi më i madh i Josip Broz Titos në ish-Jugosllavi; bolsheviku dhe enveristi më i devotshëm; bartësi i botimit të pamfleteve politike, të rënda 288.000 euro; humbësi më i madh i zgjedhjeve në historinë e zgjedhjeve në rruzullin tokësor; fituesi i çmimit 7 Korriku i Serbisë, që nuk e ktheu kurrë…!

Pas këtij portretimi, e dini kush është ky njeri? Nëse nuk e dini, ky është REXHEP QOSJA, i vetëquajturi “At” i kombit.

PYETJET:

1. Thua se e jep kokën për të vërtetën, po pse nuk e dhe deri tash kur pate shumë raste?
2. ”Mendje e kombit”, pa mendje për vetveten, a ke probleme më shumë me vetveten apo me të tjerët?
3. A po i vuan akoma pasojat e patologjisë së një mentaliteti mesjetar-fisnor?
4. Nga buron kënaqësia dhe paranoja që t’i ofendosh të gjitha personalitetet e mëdha në fushën e shkencës, letërsisë, kulturës, politikës shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë?
5. A shkove prej lektorit të zakonshëm të Radio-Prishtinës drejt hulumtues shkencor në Institutin Albanologjik, pa magjistraturë shkencore?
6. Pse nuk munde t’i jepje provimet në shkallën e tretë në Beograd? Cilat ishin pengesat?
7. A shkove pa magjistraturë shkencore drejt në doktoratë?
8. A të mbështeti më së shumëti prof. Fehmi Agani për paraqitjen e doktoratës pa magjistraturë, kundër të cilit më vonë e zhvillove fushatën më të egër?
9. A u bëre drejtor i Institutit Albanologjik pa konkurrencë dhe a u zgjodhe tre mandate rresht në atë funksion, që ishte përjashtim në gjithë ish-Jugosllavinë?
10. A e kërcënove me revole drejtorin legjitim të Institutit Albanologjik dhe a ia shave nënë e babë, ndërsa në opinion thoshe që ai të ka sharë e kërcënuar?
11. A pate ndonjë arsye të madhe që të japësh propozim e mendim pozitiv dhe së fundi ta votoje Sinan Hasanin për anëtar të ASHAK-ut?
12. A pate arsye plotësuese ta vajtoje me aq sentimentalitet Titon?
13. Po Enver Hoxhën, pse vazhdon ta konsiderosh personalitetin më të madh të kombit?
14. Pse nuk ke kurajo qytetare dhe intelektuale të japësh dorëheqje nga ASHAK kur e denoncon çdo ditë dhe e urren patologjikisht?
15 . A është e moralshme ta merrësh “rrogën kombëtare”, si e quan kur i akuzon anëtarët tjerë të Akademisë, kur nuk e ke shkelur pragun e saj tash e 15 vjet?
16. A ishe i pari drejtor i një institucioni kulturor e shkencor që i denoncove demonstratat e studentëve të vitit 1981? A është gazeta “Rilindja” dëshmi për këtë denoncim?
17. Sa herë e takove kryetarin e Jugosllavisë së Zhablakut (1992-1993), “babain” e kombit serb, Dobrica Qosiqin, në Manastirin Prohor Pçinjski?
18. Çka bisedove me Qosiqin? Për ndarjen e Kosovës?
19. Në vitin 1989, kur derdhej gjaku në Kosovë dhe rrënohej autonomiteti i saj, a u takove me shokun Vidoje Zharkoviq në Beograd, politikan nga Mali i Zi dhe funksionar i lartë në ish-Federatën Jugosllave dhe përgjegjës për KOS? Nëse po, çka bisedove me të?
20. Po me Dushko Ristiqin dhe Mihaillo Zvicerin kishe raporte të ngushta?
21. Pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, kur u derdh gjaku, a i deklarove gazetës sarajevase “Oslobodjenje” se je qytetar lojal i Jugosllavisë?
22. Si drejtor a pranove me vetëdije në punë në Institutin Albanologjik njerëz të UDB-së dhe të KOS-it?
23. A bëre divorc me gjyq nga gruaja legjitime dhe faktike vetëm për ta mbajtur banesën shoqërore, së bashku me shtëpinë luksoze? A vazhdove jetën normalisht me gruan “e divorcuar” në këtë banesë dhe në këtë shtëpi derisa ajo ishte gjallë?
24. A bëje orgji me gratë e huaja, të qarqeve të njohura të Kosovës në hotel “Dajti” e gjetiu në Shqipëri? Po orgjitë në Maqedoni, në motelet e atëhershme, poashtu me gratë e e këtyre qarqeve?
25. A erdhi në krizë bashkëpunimi midis dy universiteteve – UP-së dhe UT-së për këto sjellje tuaja amorale?
26. A kishe sjellje të tillë edhe në zyrën tende në Institutin Albanologjik?
27. A humbe me vota të fshehta për anëtarë të Pleqësisë së Institutit Albanologjik pasi përfundove tre mandate si drejtor?
28. A humbe me vota të fshehta për anëtarë të Kryesisë së KMDLNJ-së?
29. A humbe katastrofalisht në zgjedhjet e para menjëherë pas luftës (2000) dhe pas Rambujesë (1999)?
30. A i more në komunën e Prishtinës, bile në koalicion me një parti, vetëm 155 vota?
31. Me këtë rezultat të votimeve, a ishe jolegjitim në Konferencën e Rambujesë dhe në emër të kujt e nënshkrove “paqen e përgjakur”, siç e quan vetë?
32. Në vitin 2000 t’u nda çmimi “Nderi i Kombit”, por gjysma e kombit me votë të lirë nuk ta pranojë. A do ta kthesh këtë çmim?
33. A është e vërtetë se u mundove ta përjashtoje nga puna dr. Ibrahim Rugovën në Institut Alabanologjik sa ishe drejtor?
34. Por kur e mbrojtën anëtarët e tjerë të Pleqësisë, a është e vërtetë se ia ndale rrogën për disa muaj me pretekst se kishte qëndruar në Shqipëri më gjatë se sa duhej dhe nuk po i kthente librat e bibliotekës?
35. Është e vërtetë se krejt librat e zgjedhura të Institutit Albanologjik i ke bartur në shtëpi? Po pikturat e Akademisë, i ke në shtëpi?
36. A është e vërtetë se pas mbylljes së kufirit me Shqipërinë në vitet 1981-1991, vetëm ti i merrje librat e Shqipërisë përmes rrugëve që vetëm ti i di?
37. A është e vërtetë se shumë botime tua janë të kompiluara e të vjedhura nga librat e Shqipërisë dhe librat e leksionet e Beogradit? Po disa përkthime dhe disa harta a i përvetësove dhe nga botimet e mia?
38. A është e vërtetë se për botimin e pamfleteve tuaja Qeveria e Kosovës i dha 238.000 euro, ndërsa honorar i more 137 euro?
39. A është e vërtetë se disa vjet më parë edhe MASHT-i i Kosovës ia dha “Toenës” së Tiranës 50.000 euro për botimin e pamfleteve tua në 22 vëllime? A mund ta dimë sa komplete të pamfleteve të ”Toenës” dhe të Qeverisë së Kosovës janë shitur?
40. A është e vërtetë se je i vetmi shqiptar që i urren edhe të vdekurit, të cilët i ke urrejtur për së gjalli?
41. Pse e urreje kaq shumë Presidentin historik, dr. Ibrahim Rugovën sa ishte gjallë? Nuk shkove as në varrim, po as familjen nuk e ngushëllove?
42. Po pse e urren tash Rugovën kur nuk është më në mesin e të gjallëve?
43. Pse aq shumë e urreje poetin tonë të madh Ali Podrimjen sa ishte i gjallë? Pse e urren kaq shumë Podrimjen edhe për së vdekuri?
44. A mund ta dimë pse nuk erdhe në asnjë mbledhje komemorative të anëtarëve të vdekur të Akademisë dhe nuk i shprehe ngushëllime asnjë familjeje, nga vdekja tragjike e akad. Fehmi Aganit më 1999 e deri te vdekja akad. dhe poetit Ali Podrimja më 2012;
45. Kur erdhi i ringjallur Skënderbeu në Kosovë, me një pritje madhështore nga populli, pse popullin e quajte qenë dhe kudra?
46. A është e vërtetë se dy ditë para bombardimeve (e hënë, më 22 mars 1999), të caqeve serbe nga NATO-ja e thirre popullin që të mos e braktisë Kosovën, sepse ne atdhe tjetër nuk kemi dhe në këtë mënyrë po i përmbushen synimet armikut?
47. A është e vërtetë se i pari, i rruar e i maskuar, ike nga Kosova në mars 1999?
48. A është e vërtetë se në Bllacën katastrofike (1999), ashtu të tebdylosur, të thirren njerëzit e Qeverisë probullgare? A gumlloi megafoni: Rexhep Qosja le të dalë? A dole?
49. A është e vërtetë se si ”Baba” i kombit, e le popullin në mëshirën e barbarisë, popullin në të cilin thirreshe gjithë jetën dhe vazhdon të thirresh?
50. Deri sa të doli mjekërra, sa ditë qëndrove në Maqedoni dhe ku ishe i fshehur?
51. Pasi të doli mjekërra, a është e vërtetë se në Tiranë deklarove se shqiptarët që kanë mbetur në Prishtinë janë lojalë ndaj regjimit serb?
52. A është e vërtetë se në një TV të Kosovës pas luftës serbëve të Kosovës u garantove të drejtën e vetëvendosjes, me Graçanicën shtet të tyre? Në emër të kujt e bëre këtë?
53 A ishe i pari që kërkoje të shkonte veriu i Kosovës në Serbi? Në emër të kujt fole?
54. Gjithë jetën, a e hidhje gurin dhe e fshehje dorën?
55. Gjithë jetën përdore e keqpërdore shumë njerëz, i gënjeve, i mashtrove, i shantazhove, i kërcënove, po edhe sa lakej të kanë mbetur sot, 2-3 apo më pak?/Botuar për herë të parë më 20 shkurt 2014

Haradinaj: Të më presin familja dhe qytetarët, s’kam nevojë për pritje shtetërore

Ramush Haradinaj, në një intervistë me Adi Krastën për Top Channel – të transmetuar sot pasdite – ka përjashtuat çdo mundësi që vendimi i Francës të mos jetë i favorshëm për të.

Ai tha po ashtu se këtë herë nuk ka nevojë për pritje shtetërore, sepse mjafton ta presin familja dhe qytetarët, transmeton “Zeri.info”.

“Skenari më i keq në rastin tim ka ndodhur. Dëmi është shkaktuar, sepse jam ndaluar pa asnjë arsye e në bazë të fletarresteve pa asnjë fuqi juridike të Serbisë. Më shumë se kaq nuk mund të ndodhë. Unë do t’i kthehem Kosovës shpejt, sepse jam në të drejtën time. Unë kam zbatuar ligjet edhe të vendit tim e edhe ato ndërkombëtare, e skam borxh ndaj Serbisë. Udhëheqësit e shtetit të Kosovës, për fat të keq, nuk e kanë forcuar Kosovën, por më shumë e kanë harxhuar atë. Kur të kthehem nuk dua pritje shtetërore. Kjo është e panevojshme. Mjafton të më presin Anita me fëmije dhe qytetarët e vendit tim”, ka thënë ai. /Zeri.info/

Haradinaj tregon kush ka gisht në ndalimin e tij në Francë

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se shqiptarët s’kanë gisht në ndalimin e tij në Francë. Ai ka thënë se këto goditje po i merr prej Serbisë, e cila ka kryer gjenocid në Kosovë.

Haradinaj ka thënë se Presidenti Thaçi dhe as kundërshtarët tjerë politikë, nuk kanë gisht në ndalimin e tij në Francë.

“Në e kemi garën politike në Kosovë. Jemi oponentë, mirëpo, këto goditje vijnë prej Beogradit. Ata janë sponsorë të këtyre goditjeve. S’mund të jap kësi mendime të pabazuara”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për “Lajmin” e Maqedonisë.

Ai ka thënë se Serbia nuk do të mund të përçajë duke shpifur kundër shqiptarëve.

Ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se ka pasur interesim nga shqiptarët kudo që janë për të kontribuar në lirimin e tij derisa pret që shpejt të kthehet në Kosovë.

Haradinaj ka thënë se më së shumti për ndalimin e tij po brengosen prindërit e tij.

Ideja e Thaçit për pajtim me Serbinë, veprim skandaloz politik! – Nga Florim Zeqa

Është hera e parë në historinë e njerëzimit, kur një president i një populli të gjakosur del haptas t’i kërkoj falje dhe pajtim një pushtuesi shekullor. Është hera e parë në histori të dëgjosh viktimën duke i kërkuar pajtim xhelatit apo agresorit barbar serb i cili përveq krimeve gjenocidale ndaj popullatës civile, dogji dhe shkatërroi çdo pasuri shqiptare mbi faqen e dheut, siq e thotë populli; na i shkrumboi edhe gurët e thëmeleve të shtëpive tona.
Nuk është vetëm lufta e fundit, me Serbinë pushtuese e kemi një histori të gjatë dhe tepër të dhimbshme shekullore. Vrasjet dhe gjenocidi serb ndaj shqiptërëve nuk ka ndodhur vetëm në luftën e fundit çlirimtare të viteve 1998/99.
Pothuajse nuk është rritur dhe mplakur asnjë gjeneratë në Kosovë, pa e provuar mbi kurrizin e saj dhunën dhe kërrbaçin, helmimet dhe dhunimet, vrasjet dhe masakrat e përmasave gjenocidiale të barbarisë serbe.
I ashtuquajturi “president” i vendit, zoti Hashim Thaçi, pas përuljes pushtëruese pranë lapidareve të varrezave serbe me mbishkrimin “viktima të terrorit shiptar”, pasoi me hapa tjerë edhe më skandaloz, të kërkesës për pajtim me Serbinë gjakatare,…pa u konsultuar fare me spektrin e gjërë politik vendor, familjet e dëshmorëve, invalidvëve dhe viktimave të luftës, e para së gjithash me familjarët e rreth 1700 personave të zhdukur dhe rreth 20 mijë nënave e motrave shqiptare të dhunuara nga policët, ushtarët dhe paramilitarët serb në luftën e fundit.
Andaj, “presidenti” nuk e ka të drejtën morale dhe politike të kërkojë pajtim me Serbinë, dhe atë së paku për dy arsye;
E para, Hashim Thaçi nuk është president i zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve të vendit, por është produkt i pazareve të pista politike mes klanit “Pronto” dhe nëntokës politike të LDK-së, pra është produkt i kontrabandimit të vullnetit të rreth 70 % të qytetarëve të Kosovës, të cilët në zgjedhjet nacionale të vitit 2014 kishin votuar kundër keqqeverisjes së tij 7 vjeqare, gjegjësisht kishin votuar për ndryshimin e kursit politik në vend.
E dyta, është aspekti moral që nuk e lejon “presidentin” t’i kërkoj falje dhe as pajtim Serbisë, ngase gjatë luftës së fundit çlirimtare, ai dhe familja e tij nuk kanë pësuar dhe as dëmtuar Serbinë.
Këtë  e ka vërtetuar disa herë njeriu më kontravers i kohë s sonë, i vetëzgjedhuri “president”, i ngritur në karrierën politike si udhëheqës politik i luftës çlirimtare,…duke u deklaruar para mediave dhe zyrtarëve ndërkombëtar; “Nuk kam qenë pjesë e luftës çlirimtare”.
Degradimin  e tij nga një lider i krahut të luftës për çlirim, e dëshmoi edhe në Seancën Solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës për nderë të 9 vjetorit të rishpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku në asnjë rast nuk ia nxuri goja tri shkronjat e arta-UÇK, familjen legjendare Jashari dhe asnjë nga masakrat gjenocidiale të Serbisë në Kosovë. Vërtetë, fjalimi i tij patetik, i pashije dhe antikombëtar, më bëri të ndjejë dhembshuri për pozicionin  e tij, sa turpërues aq edhe qyqarë,…duke i humbur në masë të madhe karakterin festiv të seancës solemne të kuvendit.
Gjithnjë, kur është në pyetje konsumi i brendshëm politik, del i pari në marrjen e primatit të meritave, duke u thirruar në vlerat e luftës, ndërsa sa herë që i ngushtohet rrethi nga ndërkombëtarët për llogaridhënje rreth përgjegjësisë, si udhëheqës politik i luftës çlirimtare,  atyre ua thotë të kundërtën; “Nuk kam qenë në vijat e frontit…”!
“Presidentit” i ka humbur busolla orientuese, rrëshqitja dhe katandisja e tij politike nuk kanë të ndalur, i ka humbur guximi nga kërcënimet e ndërkombëtarëve, kur këta të fundit, deri dje e përdorën si figurë shahu në tabelën politike kosovare, ndërsa tani po e përdorin edhe si lodër nëpër  varrezat serbe gjithandej Kosovës.
Nuk jemi në shekullin e 18-19, kur përhapja e lajmit dhe së vërtetës ka kërkuar kohë të gjatë dhe sfida të panumërta. Tani jemi në shekullin 21, ku shpejtësia e përhapjes së lajmit krahasohet me shpejtësinë  e dritës, dhe falë zhvillimit të hovshëm teknologjik është e pamundur të shtrëmbërohen faktet dhe fshihet e vërteta.
Prandaj, ideja e Thaçit për pajtim me Serbinë, përveqse e pamoralshme, politikisht është veprim i gabuar dhe devijim i skajshëm kombëtar, përderisa Serbia të mos e njohë  Republikën  e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, t’i kthejë Kosovës rreth 1700 të zhdukur, të bëjë dëmshpërblimin e pasurive shqiptare të shkatërruara dhe plaçkitura gjatë luftës, të pasuar me kërkimfaljen publike për gjenocidin shekullor ndaj shqiptarëve.
I ashtuquajturi dhe vetëzgjedhuri “president”, llogaritë  e tija personale nuk guxon t’i ndërlidhë me fatin dhe ndjenjat e popullatës së përgjakur nga terrori serb.
Mallkimi i popullit, do të jetë i ashpër dhe i pamëshirshëm ndaj gjithë atyre që shkelin gjakun e derdhur për lirinë e atdheut.
Gjaku nuk bëhet ujë zoti “president”, viktimat kërkojnë drejtësi dhe ndëshkim për kriminelët e jo pajtim siq jeni duke e kërkuar ju!

Kosovës po i ikin kuadrot mjekësore

Institucionet e shëndetit publik në Kosovë po përballen me fenomenin e ikjes së mjekëve specialistë nga vendi.

Kuadri specialist mjekësor po tregon interesim për punësim në vende të ndryshme të botës, ku pagesat janë shumë më të mira. Edhe infermierët, në shumë raste, kanë ndjekur rrugën e mjekëve specialistë.

Ndryshe, nevoja për mjekë e infermierë në Kosovë, konsiderohet e madhe. Vetëm në Qendrën Klinike Universitare, janë më shumë se 30 mijë vizitorë gjatë ditës.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me Gertruda Dylën, mjeke specialiste e kardiologjisë, e cila ka vendosur që karrierën e saj prej kardiologe ta zhvillojë në Gjermani. Ajo, që nga viti 2011 punon në një spital privat për kardiologji.

“Në Gjermani kam filluar punën duke iu falënderuar referencave ose rekomandimeve të profesorëve gjermanë, me të cilët kam pasur bashkëpunim. Një ndër ta është Prof. Dr. Eberhard Von Hodenberg, shef i Klinikës Kardiologjike, ose origjinal ‘Herzzentrum Lahr Schwarzwald’ në Gjermani. Ai ligjëron edhe në SHBA”.

“Në Kosovë kam punuar në spitalin e Gjakovës. Nga viti 2001 deri në vitin 2011 kam ligjëruar si asistente në Fakultetin e Mjekësisë në Institutin e patologjisë. Kam shërbyer edhe në Afganistan si mjeke”, ka treguar Dyla.

Arsyet pse ka ikur nga Kosova, sipas zonjës Dyla, kanë qenë të shumta. Por, para së gjithash ajo mendon se largimi nga vendi, vjen si zgjidhje në momentin kur vendlindja, shteti yt, nuk të ofron vendin e merituar. Në këso raste, duhet gjetur alternativa tjera, thotë ajo.

“Të vendosësh që ta lësh vendlindjen, nuk është e aspak e lehtë. Mirëpo, nëse vendlindja nuk të ofron një jetë të qetë, të dinjitetshme, me shpresë dhe perspektivë për veten tënde dhe familjen tënde, atëherë mendoj se secilit prej nesh, kur na jepet mundësia, pavarësisht sfidave e vështirësive që na presin në vendin e huaj, vendos ta lëshojë Kosovën”, thotë Dyla.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se fenomeni i ikjes së stafit profesional nuk po e godet vetëm Kosovën. Sipas tyre me situatën e ikjes së stafit nga vendi përballen edhe shtetet më të zhvilluara, përfshirë edhe Gjermaninë.

Por, ashtu nuk mendon edhe kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë Blerim Syla. Ai thotë se në anketën e fundit që është bërë, prej 1 mijë studentëve të anketuar, 73 për qind e tyre kanë deklaruar se do të ikin jashtë vendit.

“Në Kosovë kemi nevojë për 5 mijë punëtorë shëndetësorë më shumë se sa që aktualisht i kemi. Në anën tjetër, vetë Qeveria e përkrah ikjen e tyre jashtë vendit. Ne i shkollojmë, i përgatisim dhe më pas i dërgojmë të gatshëm në shtetet e Bashkimit Evropian”, kishte thënë Syla kohë më parë për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër referente për tërë Kosovën, janë të punësuar rreth 613 mjekë dhe 1,882 infermierë. Paga e mjekëve specialistë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri, për punën që kryen, paguhet rreth 300 euro në muaj. (REL)

Jusuf Buxhovi: “SHBA – të duhet të parandalojnë rrezikimin e shtetit të Kosovës nga brenda! “

– Kështu deklaroi historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi në Çikago me rastin e ngritjes së flamurit të Kosovës para bashkësisë së qytetit

Në sheshin kryesor të Çikagos, para bashkësisë së qytetit, sot u ngrit flamuri i Kosovës. Kjo ngjarje u organizua nga Komuniteti shqiptar i Çikagos si dhe bashkësia e qytetit. Në ngritjen solemne të flamurit të Kosovës në Çikago, si ftuar i veçantë, mori pjesë edhe shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, i cili këto ditë po mban ligjerate në disa universite amerikane.

Historiani Buxhovi, në fjalën e rastit përkujtoi rolin e madh të SHBA-ve në jetësimin e projekti të shtetit të Kosovës nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në dhjetorin e vitit 1989 e deri sa u shpall, para nëntë vitesh.

Historiani Buxhovi tha se ishte pikërisht kongresmeni Bob Doll, në vitin 1990, kur, me rastin e vizitës së parë të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës në Uashington, në një bisedë me dr Rugovën, ngriti çështjen e pavarësisë po qe se do të shpërbëhet ish Jugosllavia ndërsa shqiptarët do t’i përmbaheshin një përcaktimi demokratik dhe propërendimor. Nga ajo kohë e tutje kongresmenët dhe senatotët e shumtë amerikanë, të nxitur nga llobi i fuqishëm shqiptaro-ametikan, u vunë në mbështetje të lëvizjes kombëtare shqiptare si dhe projektit të saj për pavarësi, që kaloi nëpërmes rezistencës institucionale paqësore e deri te lufta e armatosur.

Buxhovi theksoi se ishte kërcënimi i kërshëndellave i vitit 1992 që iu drejtua Millosheviqit nga presidenti Bush si dhe vendosmëria e presidentit Klienton që erdhi më pas, që parandaluan kasapin e Ballkanit të hap frontin e Kosovës. SHBA-të, po ashtu ndikuan, që pas Detjtonit, çështja e Kosovës të ngritet në një problem ndërkombëtar, gjë që, kthimi i luftës së diplomacisë në diplomaci të luftës, mundësoi edhe fushatën ajrore të NATO -s në marsin e vitit 1999, me të cilën Kosova u vu nën protektoratin tetëvjeçare ndërkombëtar, që i parapriu edhe pavarësisë që erdhi më 17 shkurt 2008.

Pasi që iu falemenderua SHBA – ve për rolin e madh në këtë zhvillim historik, historiani Buxhovi drejtoi shumë fjalë kritike në adresë të politikanëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, idealin për konsolidimin e shtetit të Kosovës – shtet të lirë dhe demokratik të një përkatësie perëndimore për të cilin u derdh shumë mund dhe gjak, e kthyen në preokupim të zhvatjes për qëllime kriminale.

KjO solli zhgënjim të madh, gjë që një pjesë e mirë e qytetarëve të saj kanë filluar ta humbin shpresën në të dhe të aleatët tanë, meqë disa prej tyre keqpërdorën edhe besimin e ndërkombëtarëve.

Me këtë rast, Buxhovi apeloi te SHBA – të që mos të përkrahin politikanët mafiozë, por të bëjnë çmos që ata dhe strukturat e ngritura kriminale të marrin fund duke u sjellë para përgjegjësisë ligjore, qoftë edhe në ndonjë tribunal ndërkombëtar, ngaqë të tillët po e rrezikojnë shtetin e Kosovës si projekt perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si ideatorët kryesor të shtetndërtimit të Kosovës kanë përgjegjësi historike që politikanët që e kanë sjellë këtë gjendje të eliminohen sa më parë nga skena politike. Vendin e tyre duhet ta zënë patriotët e njëmend me krijimin e një force të re politike në vend te zëvendësimit të të këqijave me të këqinj të ngjashëm nga lloji i njëjtë,siç po kërkohet prej tyre. Kjo ndërhyrje bëhet edhe më e domosdoshme në rrethanat kur kjo politikë, prej më shumë se një viti duke e kthyer parlamentin në një skenë tragjiko-komike kunder interesave vitale të vendit, me hapjen e kauzave të rreme dhe marifeteve të ngjashme, po ia hap dyert edhe ndërhyrjes së Beogradit dhe të Rusisë, gjë që do të rrezikonte edhe interesat strategjike amerikane dhe ato perëndimore në rajon.”

Jusuf Buxhovi: “SHBA – të duhet të parandalojnë rrezikimin e shtetit të Kosovës nga brenda! “


– Kështu deklaroi historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi në Çikago me rastin e ngritjes së flamurit të Kosovës para bashkësisë së qytetit

Në sheshin kryesor të Çikagos, para bashkësisë së qytetit, sot u ngrit flamuri i Kosovës. Kjo ngjarje u organizua nga Komuniteti shqiptar i Çikagos si dhe bashkësia e qytetit. Në ngritjen solemne të flamurit të Kosovës në Çikago, si ftuar i veçantë, mori pjesë edhe shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi, i cili këto ditë po mban ligjerate në disa universite amerikane.

Historiani Buxhovi, në fjalën e rastit përkujtoi rolin e madh të SHBA-ve në jetësimin e projekti të shtetit të Kosovës nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në dhjetorin e vitit 1989 e deri sa u shpall, para nëntë vitesh.

Historiani Buxhovi tha se ishte pikërisht kongresmeni Bob Doll, në vitin 1990, kur, me rastin e vizitës së parë të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës në Uashington, në një bisedë me dr Rugovën, ngriti çështjen e pavarësisë po qe se do të shpërbëhet ish Jugosllavia ndërsa shqiptarët do t’i përmbaheshin një përcaktimi demokratik dhe propërendimor. Nga ajo kohë e tutje kongresmenët dhe senatotët e shumtë amerikanë, të nxitur nga llobi i fuqishëm shqiptaro-ametikan, u vunë në mbështetje të lëvizjes kombëtare shqiptare si dhe projektit të saj për pavarësi, që kaloi nëpërmes rezistencës institucionale paqësore e deri te lufta e armatosur.

Buxhovi theksoi se ishte kërcënimi i kërshëndellave i vitit 1992 që iu drejtua Millosheviqit nga presidenti Bush si dhe vendosmëria e presidentit Klienton që erdhi më pas, që parandaluan kasapin e Ballkanit të hap frontin e Kosovës. SHBA-të, po ashtu ndikuan, që pas Detjtonit, çështja e Kosovës të ngritet në një problem ndërkombëtar, gjë që, kthimi i luftës së diplomacisë në diplomaci të luftës, mundësoi edhe fushatën ajrore të NATO -s në marsin e vitit 1999, me të cilën Kosova u vu nën protektoratin tetëvjeçare ndërkombëtar, që i parapriu edhe pavarësisë që erdhi më 17 shkurt 2008.

Pasi që iu falemenderua SHBA – ve për rolin e madh në këtë zhvillim historik, historiani Buxhovi drejtoi shumë fjalë kritike në adresë të politikanëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, idealin për konsolidimin e shtetit të Kosovës – shtet të lirë dhe demokratik të një përkatësie perëndimore për të cilin u derdh shumë mund dhe gjak, e kthyen në preokupim të zhvatjes për qëllime kriminale.

KjO solli zhgënjim të madh, gjë që një pjesë e mirë e qytetarëve të saj kanë filluar ta humbin shpresën në të dhe të aleatët tanë, meqë disa prej tyre keqpërdorën edhe besimin e ndërkombëtarëve.

Me këtë rast, Buxhovi apeloi te SHBA – të që mos të përkrahin politikanët mafiozë, por të bëjnë çmos që ata dhe strukturat e ngritura kriminale të marrin fund duke u sjellë para përgjegjësisë ligjore, qoftë edhe në ndonjë tribunal ndërkombëtar, ngaqë të tillët po e rrezikojnë shtetin e Kosovës si projekt perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si ideatorët kryesor të shtetndërtimit të Kosovës kanë përgjegjësi historike që politikanët që e kanë sjellë këtë gjendje të eliminohen sa më parë nga skena politike. Vendin e tyre duhet ta zënë patriotët e njëmend me krijimin e një force të re politike në vend te zëvendësimit të të këqijave me të këqinj të ngjashëm nga lloji i njëjtë,siç po kërkohet prej tyre. Kjo ndërhyrje bëhet edhe më e domosdoshme në rrethanat kur kjo politikë, prej më shumë se një viti duke e kthyer parlamentin në një skenë tragjiko-komike kunder interesave vitale të vendit, me hapjen e kauzave të rreme dhe marifeteve të ngjashme, po ia hap dyert edhe ndërhyrjes së Beogradit dhe të Rusisë, gjë që do të rrezikonte edhe interesat strategjike amerikane dhe ato perëndimore në rajon.”

Mensur Krelani: Ah bre President, ka metë LDK-ja për gjynah të Zotit!

Veprimtari i njohur i LDK-së në në Zvicër Mensur Krelani shpreh shqetësimin për situatën ku ndodhet sot LDK. Në rrjetin socvial ai shkruan si më poshtë:
“Ah bre President,
Kerkush nuk e ka besu se do të vije koha që të gjithë ata që kanë qenë kundër Presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugova,
në kohen sa ai ishte gjallë,
një ditë po ata njerëz do të thurin elozhe për te!
Kerkush nuk ka besu se një ditë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbes për gjynah t’zotit!
Ah bre President,
nuk kam qare pa të tregu ty se,
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rrustem Mustafa, Milaim Zeka, e të tjere si keta,
tash pas shkuarjes tuaj në amshim,
po vinë e po të përkulen te vorri,
po ta lavdojnë punën tende,
po mundohen me ec hapave tu.
Krejt kjo po ndodhë para syve të parisë së LDK-së së sotme!
Ku kta të fundit jan dorzu para krimit, para partive mafijoze, para “komandantave”të rrëmë të UÇK-së,
para atyre që ditën e natën jan munu me të luftu ty.
Kjo LDK e sotit nuk e merr guximin e me ju thënë troç hajnave e kriminelve të Kosovës se, ju nuk keni të drejtë të flisni për Presidentin Rugova,
sepse e keni luftu ate për të gjalë të tij,
se Ibrahim Rugova është i yni, i LDK-së, i popullit të Kosovës.
Jo President,jo,ka met LDK për gjynah t’zotit,
ka mbet në meshirën e elektoratit të saj, e të zotit.
Deri kur do të shkoj kështu se di, por se shpresoj se seshpejti LDK ka me u liru nga njerëzt e saj të padenjë për ta udhehequr,
dhe do të vije dita ku këtë parti do ta udheheq Fryma Rugoviane,
e me këtë do të fitoj Kosova dhe do të humbin tradhtaret e kriminelt e saj.”

MPJ e Kosovës dënon ashpër heqjen e dhunshme të flamujve të Turqisë në Prizren

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dënon ashpër heqjen me dhunë të flamujve të Republikës së Turqisë në Prizren, duke e cilësuar këtë veprim si akt vandal nga persona të papërgjegjshëm që kanë për qëllim dëmtimin e shtetit demokratik dhe multietnik të Kosovës, njofton kumtesa, transmeton “Zeri.info”.

Ministria e Punëve të Jashtme kërkon që autorët të vihen para drejtësisë dhe të japin përgjegjësi për veprimet e tyre të papërgjegjshme dhe të dëmshme.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka komunikuar me Ambasadoren e Turqisë në Kosovë ku e ka dënuar ashpër aktin si të tillë.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë të shkëlqyera dhe si të tilla ato nuk do të pengohen e as dëmtohen nga kurrfarë akti vandal e të izoluar që nuk ja duan të mirën Kosovës dhe marrdhënieve tona miqësore me Turqinë”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.

Katër 17 shkurtët e Ramush Haradinajt nëpër gjykata

Për shkak të përballjeve me gjykatat ndërkombëtare, Ramush Haradinaj nuk ishte në Kosovë gjatë shpalljes së pavarësisë dhe në tre përvjetorë të saj.

Ish-Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të jetë në Kosovë për të shënuar 9 vjetorin e pavarësisë.

Kjo është hera e katërt që ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit nuk do festojë pavarësinë për shkak të vendimeve dhe kërkesave të Prokurorive  e Gjykatave ndërkombëtare.

Haradinaj në ditën e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të 2008-ës nuk kishte qenë në Kosovë për shkak se ishte duke u gjykuar në Hagë për krime të lufte.

Ai ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës dy muaj më vonë, në prill të 2008-ës.

Megjithatë, më vonë Gjykata e Hagës kishte vendosur që ta kthejë në rigjykim rastin e Haradinajt.

Rigjykimi ia mohoi Haradinajt për dy vjet rresht praninë në Kosovë gjatë përvjetorëve të pavarësisë.

Ai qëndroi në Hagë në vitet 2011 dhe 2012 duke rifituar përsëri lirinë dhe duke u kthyer në Kosovë në nëntor të 2012-ës.

Për 4 vjet me radhë Haradinaj festoi përvjetorët në liri, derisa policia franceze e arrestoi më 4 janar në bazë të një fletarresti të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia.

Në përvjetorin e nëntë të shpalljes së pavarësisë, Haradinaj e ka të ndaluar ta lëshojë Francën dhe po qëndron atje, derisa ky shtet të vendosë rreth kërkesës për ekstradim të Serbisë.

Gjykata franceze vendimin për Haradinajn pritet ta marrë më 2 mars.

Sot në urimin e tij për 9 vjetët e shtetësisë koosvare, Kryeministri Isa Mustafa në veçanti ia uroi Haradinajt këtë ditë.

Nga 9 vjet shtet, ish-kryeministri dhe komandanti i Zonës së Dukagjinit Ramush Haradinaj i ka përjetuar në vendlindjen e tij vetëm 5./Kallxo.com

Prishtinë, atmosferë festive për nder të ditës së Pavarësisë

Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë përveç qytetarëve të saj, kanë ardhur edhe qytetarë të shumtë të komunave tjera si dhe nga Shqipëria e Maqedonia

PRISHTINË – Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë sot me rastin e 9 vjetorit të pavarësisë ka një atmosferë festive, ku qytetarë të shumtë kanë dalur që ta presin këtë ditë të veçantë në sheshet e Prishtinës.

Në kryeqytet përveç qytetarëve të saj, kanë ardhur edhe qytetarë të shumtë të komunave tjera, si dhe nga Shqipëria e Maqedonia. Në rrugët e saj shihet një numër i madh flamujsh të Kosovës kaltër dhe verdhë, ndërkaq në duart e qytetarëve edhe flamuri kombëtar shqiptar, kuq e zi.

Muharrem Neziri, një prishtinas i cili po i ndjek studimet e tij mastër në Austri për AA u shpreh se ndihet i lumtur dhe krenar për këtë ditë feste. Ai e sheh Kosovën si një fëmijë nëntë vjeçar i cili rritet dhe zhvillohet.

“Gjendja aktuale është pozitive për Kosovën, por gjithmonë duhet të mendojmë përpara dhe t’i kemi kushtet më të mira si në rajon, në Kroaci, Slloveni dhe në Evropë”, tha Neziri.

Sipas tij, ambasadorët më të mirë të Kosovës janë sportistët dhe artistët me famë botërore, siç është Majlinda Kelmendi e cila fitoi medaljen e artë vitin e kaluar në Brazil, si dhe këngëtarët e suksesshme si Rita Ora dhe Dua Lipa që kanë një karrierë të suksesshme në botë.

Violeta Ahmeti thekson se Dita e Pavarësisë është një ditë e rëndësishme për të gjithë kosovarët të cilët përjetuan ditë të vështira për ta arritur këtë sukses. Ajo vuri në dukje se gjatë kësaj periudhe 9 vjeçare Kosova ka arritur shumë, por që kjo nuk është e mjaftueshme.

“Kosova nuk është aty ku do të donim ne sepse ne që jemi gjeneratat pak më të vjetra kemi kaluar nëpër periudhat e ndërtimit të shtetit, mirëpo edhe në periudhat e ballafaqimit me faktorin serb. Unë kam qenë edhe aktiviste dhe kam parë nga afër çfarë do të thotë të luftosh për të drejtat e tua dhe të diskriminohesh nga një okupator shumë brutal dhe i rëndë”, tha Ahmeti.

Isuf Zabeli, duke uruar festën e Pavarësisë, tha se ndihet i lumtur për këtë ditë të veçantë. “Jemi shumë të gëzuar, kemi pak hidhërim por pa viktima nuk ishte fituar liria, por nuk e kemi dert këtë. E gëzuam dhe e gëzofshim të gjithë”, tha Zabeli.

Kurse Fidan Mehmeti, tha se edhe pse Kosova ka ende probleme, me rëndësi është që tani jetojnë në liri. “Është kënaqësi që shohim kaq njerëz duke festuar, megjithëse me shumë probleme ky shtet, përsëri jemi të lumtur që e kemi”.

Ndërkaq, për nder të kësaj feste skulptura e njohur “New Born”, e cila ndodhet në qendër të Prishtinës dhe ishte shpalosur në ditën e pavarësisë së Kosovës për këtë vit ka marrë një pamje pak më ndryshe. Shkronjat N dhe W të saj janë të rrëzuar, me nënshkrimin “No walls” (Jo Mure), e cila është mesazh i kundërsthimit të ndërtimeve të mureve ndarëse.

Për këtë ditë edhe autobusët e rinj urban janë lëshuar në qarkullim, të cilët për 9 vjetorin e pavarësisë do të qarkullojnë çdo pesë minuta dhe do të jenë falas për të gjithë.

Me rastin e festës zyrtare të 17 shkurtit, sot, dita e premte është ditë pushimi.

Adem Jashari Heroi i Kosovës – Adem Jashari ishte kryekomandanti i UÇK-së

Adem Jashari u lind në Prekaz, në rajonin e Drenicës së Kosovës, mu në “Ditën e Flamurit” më 28 Nëntor 1955.

Ai është një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Adem Jashari ishte kryekomandanti i UÇK-së.

Së bashku me të vëllain e tij Hamzën, Ademi ka marrë pjesë në sulmet kundra forcave policore-ushtarake serbe. Forcat policore jugosllave dhe Ushtria Jugosllave e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Adem Jashari heroikisht ra së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij. K

y është rast unikat në historinë e luftërave.

Ai mban titullin “Komandanti Legjendar i UÇK-së” dhe “Hero i Kosovës”.

Në vitin 1991,Adem Jashari u zhvendos në Shqipëri për t’u trajnuar me vullnetarët e parë, që më vonë u bashkuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Më 28 shkurt 1998, një grup kryengritës të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë dhe plagosur dy.

Familjen Jashari e luftuan forcat serbosllave në Kosovë në vitet e 90-ta, por ky fakt u mbajt i fshehur nga opinioni i gjerë, nga ana e politikanëve të moderuar shqiptarë dhe nga qeveria e Beogradit, si mënyrë për të ruajtur status-quonë.

Beteja e parë mes Ademit dhe shokëve e tij kundër Forcave Federale ushtarako-policore Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991.

Shtëpia e Jasharajve ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbosllav duke kërkuar dorëzimin e tij. Jasharajt me shokët, thyen rrethimin dhe më vonë morën pjesë në disa aksione kundër ushtrisë jugosllave dhe të policisë.

Adem Jashari në Prekaz u sulmua përsëri nga forcat e policisë federale më 22 janar të vitit 1998.

Në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua sërish nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore. Një rrethim e dytë u bë për të pamundësuar çdo shpëtim jete. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7-8 mije trupa. Sulmi zgjati dy ditë.

Forcat policore kërkuan së pari që Adem Jashari të dorëzohet, pasi se kjo nuk ndodhi, ata i dhanë 2 orë afat për të shqyrtuar ofertën.

Pas kësaj kanë filluar të shtënat. Nga një shtëpi, policia qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotësjellës.

Shumica e familjes së gjërë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla.

Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për nja tridhjetë e gjashtë orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.

Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve.

Adem Jashari së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij u vranë.

Gjithsejt pesëdhjetë e tetë persona janë vrarë, në mesin e tyre tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare.

Ibrahim Rugova, arkitekti dhe babai i pavarësisë së Kosovës!

Pas Ismail Qemalit vjen Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.

Presidenti Rugova është themeluesi i Partisë së Parë Antikomuniste në Ballkanin e diktaturave komuniste.

Ai është frymëzuesi, organizatori i lëvizjes paqësore më të pashembullt në historisë e Shqipërisë e shqiptarëve, por edhe të kombeve të tjera evropiane.

Ibrahim Rugova është arkitekti i Kosovës së pavarur.

Ibrahim Rugova është Babai i Pavarësisë së Kosovës!

RADIO EVROPA E LIRË – FORCA E ARMATOSUR E KOSOVËS, PENG I POLITIKËS


Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, ka kohë që janë zotuar se Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohet në Forca të Armatosura, por diçka e tillë nuk ka ndodhur ende.Në përvjetorin e gjashtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pati deklaruar se është shtuar nevoja për krijimin e një force moderne të armatosur në Kosovë.

E ardhmja e Forcës së Armatosur të Kosovës, nuk ka alternativë, mbetet punë parësore për Kuvendin, kishte thënë presidentja Jahjaga.

Zyrtarët nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë se FSK-ja, tashmë ka realizuar gjithë programin e saj për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale sipas misionit që ka pasur dhe se, sipas tyre, ato kapacitete janë pranuar nga NATO.

Ibrahim Shala nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se FSK-ja është e gatshme për transformim të mëtejmë.

“Është përgatitur edhe draft-ligji për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur. Ky draft-ligj ditë më parë i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës. Se kur Qeveria do ta procedojë në Parlament dhe kur Parlamenti do ta vërë në rend të ditës, varet nga agjendat e Parlamentit dhe nga zhvillimet e tjera politike të shtetit tonë”, thotë Shala.

Në rishikimin e strategjisë për sigurinë e Kosovës është rekomanduar që FSK-ja të shndërrohet në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Ky rekomandim është miratuar nga Qeveria, por që të jetë i plotfuqishëm, duhet të bëhen edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe të miratohet ligji përkatës.

Për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës nevojiten ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që ato nuk mund të bëhen pa dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë bashkësitë e pakicave në Kuvend.

Shala thotë se në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ekziston besimi se partitë politike shqiptare, por edhe ato të komuniteteve të tjera që janë të përfaqësuara në Kuvend, do ta përkrahin ligjin për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

“Partitë politike të Kosovës do të kenë unitet të plotë për të aprovuar ligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe partitë minoritare, sepse Forca e Sigurisë së Kosovës, mbrojtja e vendit po ashtu edhe misioni i Forcave të Armatosur të Kosovës do te jetë në mbrojtje të vendit dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, race apo gjinie”, shpjegon Shala.

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvend, Daut Haradinaj, thotë se Komisioni dhe legjislativ është i gatshëm të procedojë me ligjin në momentin që ekzekutivi do ta dorëzojë në Kuvend pakon ligjore.

“Është peng i proceseve politike, por edhe një herë po e them se nuk e shohim si pengesë të parë, mirëpo ta shohim tash në perspektivë a do ta sjellin paketën ligjore me qenë se edhe afatet ligjore i kanë”, shprehetHaradinaj.

Ai konsideron se kjo çështje është duke ngecur edhe për shkak të disa mosmarrëveshjeve politike.

“Jemi të gatshëm për ta proceduar në momentin që na i dorëzojnë (ligjet). Por, siç duket, kanë probleme të natyrave të ndryshme të marrëveshjeve politike edhe me Listën Serbe, se këtu është pengesa kryesore, sipas të gjitha gjasave, sepse kërkohet plotësim-ndryshim i Kushtetutës së Kosovës”, shton Haradinaj, i cili është deputet në Kuvend nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kurse, njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Naim Maloku, thotë se çështja e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur dhe deklaratat nga politikanët lidhur me këtë çështje bëhen vetëm për konsum të brendshëm politik.

“Nuk do të kryhet kjo punë vetëm në bazë të një vullneti apo dëshire të partitive politike të shqiptarëve. Absolutisht, janë vetëm për konsum të brendshëm dhe kur nuk dinë të thonë diçka tjetër, atëherë thonë që për shembull brenda këtij viti Kosova do të bëhetme ushtri”, thekson Maloku.

Ai thotë se do të kalojë edhe një kohë derisa të dihet e ardhmja e FSK-së.

“Forcat e Armatosura të Kosovës mendoj se do ta kenë fatin e një dialogu, një presioni të faktorit ndërkombëtar se si do të jetë e ardhmja e Ballkanit. Nëse integrohet gjithë Ballkani nën Kroaci-NATO, atëherë praktikisht me inkuadrimin në NATO, do të përcaktohet edhe fati i FSK-s, çfarë force dhe çfarë niveli dhe kapaciteti do të ketë Kosova”,sqaron Maloku.

Eksperti Maloku konsideron se e ardhmja e FSK-s do të jetë si temë diskutimi në fund të bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përfundimi i dialogut më Serbinë do të përcaktojë ndoshta edhe infrastrukturën e sigurisë e Forcave të Sigurisë ose të gjitha segmenteve të sigurisë së Kosovës. Unë mendoj se kusht i Listës Serbe, ka për të qenë që në veri, të kenë një forcë të armatosur siç e ka Bosnja, Republika Srpska. Ajo nuk funksionon”, konsideron Maloku.

Udhëheqës të Kosovës kanë thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është e ndërtuar mbi themele të fuqishme, që udhëhiqet nga synimi për të krijuar infrastrukturë të plotë të sigurisë, në përputhje me nevojat e shtetit dhe në harmoni me interesat kombëtare për të qenë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë.

Ndërtimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është thënë se do të bëhet në mënyrë graduale dhe do të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë pritet të përfundoj në vitin 2016. Gjatë kësaj periudhe do të riorganizohet kjo forcë në përputhje me ligjet e reja, me hartimin e doktrinave ushtarake, vendosjen në infrastrukturën e paraparë dhe fillimin e trajnimeve ushtarake.

Faza e dytë do të jetë deri në vitin 2019 me ngritjen e kapaciteteve të komandës, kontrollit, komunikimit dhe pajisjen me armatim, si dhe krijimin e kapaciteteve iniciale operacionale.

Faza e tretë, që përfshin kompletimin e plotë të Forcave të Armatosura të Kosovës, edhe me personel, edhe me pajisje, edhe me trajnime dhe me arritjen e kapaciteteve të plota ushtarake.

Forca e Sigurisë së Kosovës ka dalë nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, e cila ishte pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktualisht 2,263, është numri i pjesëtareve të FSK-së, ku 478 janë aktivë. Nga përbërja e përgjithshme e këtyre pjesëtarëve 8.91 për qind janë nga komunitetet pakicë, serbë(42 pjesëtarë) turq 55, boshnjakë, ashkali, rom dhe egjiptianë.rel/14.02.2015

DITA E PAVARËSISË SË KOSOVËS Nga GANI AZEMI*

17 shkurt 2008. Parlamenti i Kosovës sapo shpalli pavarësinë.
Brohoritje dhe britma të fuqishme gëzimi ushtojnë nëpër rrugët e Prishtinës. Si mijëra të tjerë, edhe unë thirra me shpirt: “Rroftë Republika e Kosovës”!
Në gjithë atë atmosferë të pabesueshme ngazëllimi dhe brohoritjesh, futem në një valle dhe kapem përdore me shqiptarë të ardhur nga e gjithë bota për të festuar këtë ngjarje të madhe historike.Në mendje më kalojnë sakrificat e pafundme të brezave që luftuan për këtë ditë dhe mallëngjehem nga fytyrat e të rinjve që shndrisin nga lumturia.Flamuri i ri i Kosovës, flamujt shqiptarë, amerikanë dhe evropianë valviten në qiellin e lirë të Kosovës. Qielli ndriçohet nga fishekzjarret e panumërta. Rrugët tunden nga thirrjet e brohoritjet me falënderime për Evropën dhe Amerikën.

Deputetë evropianë, parlamentarë belgë dhe miq e dashamirës të vendit tonë gëzojnë me ne. Në ekranet gjigante të televizioneve gazetarët njoftojnë për njohjet e para të Republikës së Kosovës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Turqia, Belgjika…, Ato brohoriten nga mijëra qytetarë të Kosovës.

Në një prej ekraneve shoh shqiptarë të diasporës në Belgjikë që festojnë pavarësinë e Kosovës. Jam shumë i prekur, sepse për tridhjetë vjet rresht nga ai vend unë pata mundësinë të punoj e ëndërroj për këtë ditë. Ndiej një mirënjohje të thellë për shtetin dhe qeverinë belge, e cila, ishte nga të parat që njohu pavarësinë e Kosovës. Shumë disidentë shqiptarë, ndërmjet tyre dhe unë, u mirëpritëm nga mbretëria e mbretit Boduin pas Luftës së Dytë Botërore.

Jam i emocionuar kur kujtoj të gjitha rastet, kur Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova është pritur në Bruksel me të gjitha nderimet që i takojnë një kryetari shteti nga Kryeministri Guy Verhofstadt, ministrat e Punëve të Jashtme Luis Michel e Karel De Gucht, kryetarët e senatit Armand De Decker dhe Anne- Marie Lizin e shumë përfaqësues të tjerë.

Lumturia jonë s’mund të përshkruhet me fjalë e do të donim që kjo natë feste të mos mbaronte kurrë.

Katër ditë më vonë serbët i vunë flakën ambasadës së SHBA-së në Beograd. Njëkohësisht ata sulmuan edhe ambasada të vendeve të tjera që mbështetën pavarësinë e Kosovës.

Nëntëmbëdhjetë vjet pas protestave masive të serbëve kundër shqiptarëve të Kosovës dhe histerizmave të Millosheviçit për masakra ndaj vendit tim, ulërimat raciste dëgjohen sërish në Beograd. Por këtë herë kjo urrejtje nuk drejtohet vetëm kundër shqiptarëve, por edhe kundër amerikanëve, francezëve, britanikëve, gjermanëve, sllovenëve…..

Do të doja të dija ndjesitë e qytetarëve të këtyre vendeve kur ju sulmoni ambasadat e tyre. Këta popuj na mbështetën me ushtarët e tyre në Kosovë për të çliruar koloninë e fundit në Evropë. Ata kanë kuptuar se sa herë që demokracia triumfon në Evropë e në botë, janë demokracitë e tyre që forcohen e konsolidohen më tej.

Për fat, tashmë një kufi ndan, më në fund, vendet tona. Tërë jetën time ia kam kushtuar vendit tim dhe tani po shoh ëndrrën time të realizuar. Pas një shekulli të pushtimit serb, Republika e Kosovës është bërë një shtet sovran i njohur nga fuqitë perëndimore dhe shumë vende të tjera. Ajo ka tashmë vendin e saj në mesin e kombeve të lira evropiane.”

*Nga Libri i Diplomatit e Veprimtarit Gani Azemit “Letra Fqinjit tim serb” publikuar në gjuhen frenge (“Lettres à mon voisin serbe”) dhe italiane (“Lettere al mio vicino serbo”)

Himni i Kosovës

Evropa është himni zyrtar i Republikës së Kosovës. Himnin e Kosovës e kompozoi Mendi Mengjiqi. Himni Evropa u realizua në 11 qershor 2008 dhe nuk ka tekst, u zgjodh nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me 72 vota për dhe 5 kundër.

Më 12 mars 2009 Kuvendi i Republikës së Kosovës vendosi të hap një konkurs për Himnin e Kosovës. Himni Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë i kompozuar nga kompozitori Rauf Dhomi nuk u zgjodh.

Himni shtetëror i Kosovës e ka tekstin. Në fakt kur ishte propozuar melodia nga autori Mendi Mengjiqi, kënga e shtetit i kishte pasur edhe vargjet e shkruara. Për shkak të restrikcioneve nga pakoja e Ahtisaarit, komisioni përzgjedhës ishte detyruar që ta heqë tekstin.

Tash kur kjo pako i takon të kaluarës, ka ardhur koha që qytetarët e vendit ta mësojnë edhe tekstin e bukur që i kushtohet dashurisë për mëmëdheun, transmeton Tribuna.

Ja teksti:

Himni i Kosovës

O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë
Çerdhe e dashurisë
N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë
Vend i të parëve tonë

Ti qofsh bekue për jetë e mot
O nënë e jonë
Ne të dalim zot

O mëmëdhe i dashur, vend i trimnisë
Çerdhe e dashurisë

 

Deklarata e Pavaresise se Kosoves

Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,

Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,

Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,

Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,

Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,

Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,

Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,

Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,

Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,

Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,

Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,

Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,

Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,

Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,

1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

2. Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

4. Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.

5. Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.

6. Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.

7. Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.

8. Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

9. Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

10. Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

11. Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.

12. Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre.

Bildergebnis für DEKLARATA E PAVARËSISË SË KOSOVËS


Send this to a friend