VOAL

VOAL

Kosovë, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj nuk e takuan presidenten Osmani për diskutime mbi Asociacionin

VOA/Edlira Bllaca

Javën e kaluar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani paralajmëroi takime me udhëheqësit e opozitës për të diskutuar rreth projekt statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga diplomatët perëndimorë.

Gjatë fjalimit të saj vjetor në parlamentin e Kosovës me 15 dhjetor, presidentja Osmani tha se është me rëndësi që të gjithë, pa dallim partiak, të ulen dhe të përgatisin komentet rreth projekt statutit.

Por, deri tani ajo është takuar vetëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Takimin e ka refuzuar kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ndërsa të martën dështoi siç u tha “për shkaqe protokollare” takimi me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Projekt statuti i Asociacionit që u bë publik kohët e fundit, është kritikuar nga një pjesë e opozitës e cila vlerëson se ai dëmton karakterin unitar të shtetit.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha se nuk mund të mbështesë asgjë “që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit unitar të shtetit si dhe jashtë rregullimit territorial të tij”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi tha se nuk mori pjesë në takimin me presidenten meqë ishte një takim këshillues që nuk jep asnjë efekt real në çështjet për të cilat është menduar se duhet të diskutohet.

“Nuk besoj që na takon neve si liderë politikë që të lëshohemi në rolin e analistëve dhe të diskutojmë se çka është mirë dhe çka është keq, pa pasur mundësi që ta afektojmë në çfarëdo formë një rezultat ndërlidhur me çështjen e draft-statutit të Asociacionit. Ne, sot e kësaj dite, ende nuk e dimë qëndrimin e Kryeministrit të Kosovës për sa i përket statutit të asociacionit. Andaj, ai është i pari që e ka edhe përgjegjësinë kushtetuese, institucionale, ligjore që të tregojë qëndrimin e tij të vërtetë e të mos krijojë paqartësi herë vet, e herë përmes zëvendëskryeministrit apo të tjerëve duke thënë se kemi pranuar se kemi pranuar”, tha ai.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj kishte vullnet të mirë për të diskutuar mbi Asociacionin, por se “presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar”.

“Nuk ka qenë puna që protokolli do ta njoftonte presidenten për arritjen e zotit Haradinaj në takim dhe që atij nuk i pritej. Protokolli e ka njoftuar zotin Haradnaj se presidentja ishte akoma në takim me Kyetarin e LDK-së. Pra ajo vet e kishte caktuar orën e takimit dhe vet nuk e kishte respektuar agjendën”, tha ai.

Duke theksuar se takimi nuk është mbajtur për shkak se zot Haradinaj nuk ka dashur të presë, këshilltari për media i presidentes Osmani, tha se dera e presidencës vazhdon të mbetet e hapur për takim me zotin Haradinaj.

“Presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale”, tha zoti Kupina në një përgjigje për Zërin e Amerikës.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet Prishtinës e Beogradit, në Bruksel dhe në Ohër më herët gjatë këtij viti e cila nuk arriti të ulte tensionet mes palëve.

Palët u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Serbia ngulë këmbë për themelimin e tij, ndërsa Prishtina ka hezituar gjatë të themelojë Asociacionin që e sheh si kërcënim për një ‘Republikë Serbe’ si ajo në Bosnje e Hercegovinë.

Javën e kaluar ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, tha se projekt statuti i Asociacionit është hartuar nga miqtë e Kosovës në Evropë dhe Amerikë, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk duan edhe një Republikë Serbe apo çkado që ka ndikim negativ në funksionimin e shtetit të Kosovës.

Ai shprehu shqetësimin me shkallën e lartë të komenteve dhe kritikave rreth Asociacionit, duke theksuar se çdo dyshim mbi kushtetutshmërinë e tij do të qartësohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Policia konfirmon që AKP-ja merr nën administrim një kompleks në Banjskë

Pamja e kompleksit “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit. Fotografi nga arkivi.

Policia e Kosovës ka asistuar Agjencinë Kosovare të Privatizimit që të marrë nën administrim kompleksin “Rajska Banja”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, zëvendësdrejtori për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Ky kompleksi i banjës gjendet në Banjskë të Zveçanit, në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Elshani nuk dha detaje të tjera për këtë aksion, por vetëm deklaroi se Policia ka asistuar në këtë rast.

AKP-ja i tha portalit Koha se ky kompleks është pjesë e Ndërmarrjes Shoqërore Trepça Standard. Sipas këtij institucioni, toka dhe ish-objekti, që sipas AKP-së është rinovuar pa leje, janë pronë e Trepça Standard me seli në Mitrovicë të Veriut, e cila është nën autoritetin e AKP-së.

Agjencia tha se ka tentuar të kontaktojë palët që kanë shfrytëzuar këtë objekt, por nuk ka pasur sukses që as t’i kontaktojë e as t’i identifikojë.

Në ambientet e këtij kompleksi, pas një sulmi ndaj Policia e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në shtator të këtij viti, dy persona ishin arrestuar, por më pas ishin liruar nga autoritetet.

Gjatë sulmit të shtatorit, u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues të armatosur.

Kosova fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Rindërtimi i këtij resorit ka filluar në vitin 2015 nga Qeveria e Serbisë përmes Zyrës së saj për Kosovën. Në atë projekt janë investuar rreth 7 milionë euro.

Drejtori atëhershëm i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, kishte nënshkruar marrëveshje për restaurimin e banjës me Dioqezën e Rashkës së Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe kryetarin e Autoritetit të Përkohshëm Komunal, Ivan Todosijeviq.

Kështu, kompleksi “Rajska Banja” kaloi në pronësi të Qeverisë së Serbisë, Kishës dhe Autoritetit të Përkohshëm Komunal të Zveçanit.

Ky resor gjendet në afërsi të manastirit të Banjskës, në vendin me të njëjtin emër, në komunën e Zveçanit.
Në këtë vend ka burime uji të nxehtë dhe sulfuror.

Në Kosovë ky kompleks është i regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në emër të Aleksandar Zllatkoviq.

APK-ja menaxhon të gjitha ish-ndërmarrjet shoqërore të Kosovës dhe pretendon se është pronarja e vetme e atyre pronave.

Takimi i Grupit Koordinues, Bogujevci: Kosova në fazën përfundimtare të anëtarësimit në KiE

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, kanë bërë hapjen e punimeve të takimit të dytë të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Zëvendësministri Ahmeti tha se që nga momenti i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës procesi pati një rrjedhë të suksesshme.

“Raporti i Juristëve Eminent, i cili sipas procedurës në fuqi dhe praktikave, ka për qellim të trajtojë nëse sistemi ligjor i Republikës së Kosovës është në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës, e konfirmoi një gjë të tillë, duke theksuar madje se në disa çështje sistemi ligjor i Kosovës tejkalon standardet ndërkombëtare”, tha Ahmeti.

“Ne kemi sistemuar të gjitha përfundimet dhe rekomandimet e dala nga Raporti i Juristëve Eminentë dhe të njëjtat do t’i diskutojmë sot. Kjo është edhe një shenjë që tregon seriozitetin e institucioneve të Kosovës për të shënuar progres të brendshëm dhe për ta përmbyllur sa më parë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, nga ku do të derivojnë të drejta dhe përfitime per secilin qytetarë të Republikës së Kosovës, e veçanërisht për komunitetet pakicë”, ka thënë ai.

Ndërkaq nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, tha se në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dominon një atmosferë mjaft pozitive ndaj këtij procesi dhe tani Kosova është pothuajse në fazën përfundimtare të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Si udhëheqëse e delegacionit tē Kosovës qysh nga takimet që kemi pasur në qershor të vitit 2021 ka pasur një qasje shumë pozitive sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka thënë nënkryetarja Bogujevci, duke theksuar se Kosova ka dëshmuar se qëndron më mirë se edhe vetë disa shtete që janë shtete anëtare të Këshillit të Evropës.

“Nuk ka asnjë dilemë që Kosova medoemos duhet të jetë pjesë e Këshillit të Evropës. Na ka mbetur pjesa përfundimtare dhe kemi ende shumë punē. Jemi në rrugën e mirë. Kemi me të vërtetë përkrahje të madhe që ta përmbyllim këtë proces”, është shprehur Bogujevci.

Në kuadër të takimit të Grupit Koordinues për Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, prezantimin e përfundimeve të Raportit të Juristëve Eminentë rreth përputhshmërisë së Sistemit Ligjor të Kosovës me Standardet e Këshillit të Evropës e ka bërë këshilltarja e jashtme, Adelina Hasani.

“Raporti nuk parasheh asnjë pengesë të çfarëdo lloji për anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës. Përderisa raporti ofron rekomandime për përmirësim të gjendjes në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, nuk parasheh ndonjë parakusht për anëtarësim”, është shprehur Hasani.

Përgjatë pjesës së dytë të takimit, të pranishmit shqyrtuan përfundimet dhe rekomandimet e dala nga Raporti i Juristëve Eminentë, si dhe mundësitë për adresimin e tyre brenda një afati sa më të shkurtër kohor./Express/

Katër të akuzuar në Kosovë shpallen fajtorë për terrorizëm

Katër persona janë shpallur fajtorë për vepra penale që lidhen me terrorizmin apo kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin ndaj të akuzuarve me iniciale A.Gj, E.S, N.S dhe M.B për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Sipas njoftimit, E.S, M.B dhe A.Gj u gjetën fajtorë edhe për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. I akuzuari N.S u gjet fajtor për veprën “lehtësim dhe financim i terrorizmit”.

Për shkak të mungesës së provave, A.Gj është liruar në mungesë provash nga vepra penale “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.

Seanca për caktimin e dënimit është caktuar për 25 janar.

Aktakuza ndaj katër të akuzuarve ishte ngritur në dhjetor të vitit 2022. Atëbotë, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se katër personat akuzoheshin se nga marsi i vitit 2021 deri në tetor të po atij viti, kishin bërë përpjekje të krijonin një strukturë organizative “për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë”.

Sipas aktakuzës, katër të pandehurit kishin kontaktuar me një person që kishte një gradë të lartë “në organizatën terroriste Shteti Islamik” dhe ishin angazhuar që të siguronin armatime të ndryshme.

Dy prej të pandehurve, sipas Prokurorisë Speciale, u akuzuan se kishin fshehur armë të zjarrit dhe municion të llojeve të ndryshme, të cilat i kishin vendosur në bure të plastikës dhe i kishin groposur.

Sipas ligjeve në Kosovë, për vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues parashihen dënime të ndryshme.

Që nga viti 2015, në Kosovë po ashtu ndalohet pjesëmarrja në luftëra të huaja dhe sipas ligjit, parashihen dënime deri në 15 vjet burgim.rel

Kurti: Kosova u vendos në hartën financiare të Evropës

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pasi Kuvendi miratoi mbrëmë në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran. Ai ka thënë se me këtë Kosova u vendos në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës.

“Vumë bazën për krijimin e një trashëgimie për gjeneratat e ardhshme. Fondi Sovran do të punojë që t’i forcojë ndërmarrjet publike të vendit dhe ato t’i shndërrojë në korporata të fuqishme të vendit dhe më tej. Fondi Sovran do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e ngritur dhe shtuar qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit“, ka shkruar ai në Facebook.

Kurti ka thënë se miratimi ligjit është vemtëm hapi i parë, pasi që sipas tij Qeverinë e presin punë të shumta në ndërtimin e strukturës organizative të Fondit Sovran dhe në thellimin e reformave në sektorin publik për përgatitjen e ndërmarrjeve që do të inkorporohen si asete të Fondit Sovran.

“Për këtë ne do të vazhdojmë të punojmë me ekspertët e vendit dhe ata ndërkombëtarë dhe të mësojmë nga përvojat më të mira ndërkombëtare të fondeve sovrane në Evropë dhe në botë, por edhe në nismën për krijimin e kornizës ligjore për tregun e kapitalit në Kosovë.”, ka shkruar Kurti.

62 deputetë, sa ishin në pranishëm në sallë, votuan pro këtij projektligji, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Si pjesë e Projektligjit për Fondin Sovran në lexim të dytë u përfshin 47 amendamente.

Bislimi u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë në zgjedhjet e së dielës në Serbi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës të votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi këtë fundjavë, duke thënë se “projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen të dielën më 17 dhjetor.

“Institucionet qendrore e lokale serbe, i kanë targetuar për diskriminim e shtypje shqiptarët në drejtësi e gjyqësor, arsim, shëndetësi e kulturë, qasje në punësim e ndërmarrje publike. Edhe pasivizimi i adresave është përpjekje e mëtejshme e vazhdueshme për spastrim etnik administrativ e institucional”, shkroi Bislimi në Facebook.

Ai tha se e ka njoftuar të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për telashet e mundshme me të cilat mund të përballen votuesit shqiptarë në Serbi.

Dy lista të pakicës shqiptare marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare serbe të dielën.

Muajin e kaluar, Radio Evropa e Lirë raportoi për ankesat e shqiptarëve në jug të Serbisë, të cilëve thanë se janë viktima të diskriminimit dhe se policia i ka fshirë në mënyrë të paligjshme nga adresat e tyre, për t’ua mohuar të drejtat elementare.

Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi tha në një raport se përqindja e adresave të çaktivizuara në komunat e jugut, ku serbët janë shumicë, është shumë më e ulët – gjegjësisht nuk kalon një për qind të popullsisë së përgjithshme.

Në anën tjetër, në rastin e komunës së Medvegjës, ku jeton një popullatë e përzier serbe-shqiptare, kjo përqindje është shumë herë më e lartë – 21.2 për qind në periudhën 2015-2019.

Çaktivizimi i adresave, përveç të drejtave për dokumente dhe sigurim shëndetësor, atyre ua mohon edhe e drejta për të votuar në zgjedhje.

Më vonë, Ministria për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale e Serbisë, e mohoi se mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës janë fshirë prej listave të votuesve dhe që policia i ka pasivizuar adresat dhe i ka lënë banorët pa dokumente personale.rel

Deklaratat e Osmanit, reagon KFOR: Vazhdimisht po e vlerësojmë gjendjen e sigurisë së Kosovës, jemi gati për të…

KFOR-i ka deklaruar se është duke e vlerësuar në vazhdimësi situatën e sigurisë në Kosovë, në koordinim të ngushtë me të gjithë homologët.

 

Reagimi i KFOR-it vjen pas adresimit vjetor të Presidentes Vjosa Osmani para Kuvendit të Kosovës, e cila duke folur për sulmin në Banjskë tha se rreziku ende s’ka kaluar.

KFOR gjithashtu ka thënë se është i gatshëm dhe plotësisht i përkushtuar për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

“Jemi në koordinim të ngushtë me të gjithë homologët dhe jemi duke e vlerësuar në vazhdimësi situatën e sigurisë në Kosovë. #KFOR-i është i gatshëm dhe plotësisht i përkushtuar për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë – në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet në postimin e KFOR-it.

Kujtojmë se Vjosa Osmani, e cila tha se duke mos vendosur masa ndaj Serbisë, ky shtet vetëm po inkurajohet që të vazhdojë të përdorë dhunë. Po ashtu, Osmani tha se rreziku s’ka kaluar.

“Në anën tjetër, duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e gazetarëve përgjatë majit, për fat të keq ky shtet vetëm po inkurajohet që të vazhdojë të përdorë dhunë”, tha Osmani.Panorama

Kurti: Mosnjohja e integritetit territorial të Kosovës mbetet kërcënim i hapur për ne

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, është e rëndësishme që të shtohet siguria në kufirin me Serbinë.

Kurti bëri këtë deklaratë gjatë takimit me Përfaqësuesin e Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Haakon Blankenborg. “U bisedua edhe për situatën e sigurisë dhe dialogun me Serbinë për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me ç‘rast theksoi se pas sulmit terrorist e paramilitar, të inspiruar, përgatitur e sponsorizuar nga Serbia, është e rëndësishme që të shtohet siguria në kufirin me Serbinë”, thuhet në komunikatë sipas asaj që shkruajnë mediat kosovare.

Ndërkaq për sa i takon dialogut, kreu i ekzekutivit “duke i dhënë theks rëndësisë që marrëveshja e arritur këtë vit në Bruksel dhe Aneksi në Ohër të nënshkruhet, pranohet, respektohet dhe zbatohet nga Serbia në tërësi, sidomos pas deklarimit të hapur tash së fundmi nga Serbia për mosrespektim të tyre e deri te mosnjohja e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që paraqet kërcënim të hapur për ne”.
Më tej, bëhet e ditur se Kurti ka shprehur falënderimin e Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Norvegjisë për zhvillimin dhe integrimin e Republikës së Kosovës në organizatat euro-atlantike dhe ka mirëpritur emërimin e Haakon Blankenborg në pozitën e Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor.

“Në takim, kryeministri foli për sukseset, arritjet dhe sfidat e qeverisjes. Ai theksoi se luftimi i korrupsionit është përkthyer në zhvillim ekonomik dhe përparim demokratik të vendit, duke u bërë kështu kampione e demokracisë në rajon”.

“Pasi prezantoi strategjinë 2022-2030 në fushën e energjisë, kryeministri ftoi për investime të Norvegjisë në Kosovë, të cilat do të forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale”, përfundon njoftimi.sn

PDKja dhe AAKja bojkotojnë adresimin vjetor të Osmanit para deputetëve

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta bojkotojë seancën e sotme të Kuvendit, ku Presidentja Vjosa Osmani do të bëjë adresimin e saj vjetor para deputetëve.

Se AAK’ja nuk do të marrë pjesë në seancë e ka konfirmuar për Gazetën Express deputeti Pal Lekaj.

“Nuk do të marrim pjesë në adresimin e Presidentes”, ka thënë Lekaj.

Ndërkohë, burime të Express bëjnë me dije se as PDK’ja s’do të marrë pjesë në këtë seancë.

“Arsyeja e mospjesëmarrjes së deputetëve të PDK’së në fjalimin vjetor të Presidentes Osmani është se ajo nuk është nuk është treguar presidente e unifikimit të institucioneve dhe popullit siç e parasheh Kushtetuta, por ka vazhduar t’i shërbejë vetëm interesave të kryeministrit Albin Kurti, duke heshtur në vazhdimësi ndaj shkeljeve kushtetuese dhe padrejtsive që po u bëhen qytetarëve”, ka thënë ky burim.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen.

Adresimi vjetor i Presidentes ishte bojkotuar edhe vitin e kaluar nga AAK’ja dhe PDK’ja.

Seanca ku Osmani pritet t’u adresohet deputetëve pritet të nis në orën 11:00. /Express

Mbi 4 000 regjistrime: Sot përfundon afati për targat

Nga 16 dhjetori, qytetarët të cilët nuk i kanë regjistruar veturat në RKS-Republika e Kosovës, nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës me veturat që mbajnë targat me akronime serbe e që shteti i konsideron ilegale.

Dita e sotme shënon ditën e fundit që të gjithë pronarët me targa si KM, PR, PZ, DE, UR e të tjera t’i kthejnë ato në targa të Republikës së Kosovës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Nora Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme.


“Pas përfundimit të këtij afati, pra pas datës 15 dhjetor, qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas vendimit të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimet kufitare ashtu siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi. Automjetet do të ndalohen nga Policia e trafikut rrugor dhe do të gjobiten për kundërvajtje në trafik dhe tabelat do t’i largohen automjetit, ndërsa nëse e njëjta vetura do të haset përsëri në qarkullim ajo veturë do të konfiskohet”, tha Fetoshi.

Afati për konvertimin e targave do të duhej të përfundonte më 1 dhjetor por Qeveria e Kosovës e kishte zgjatur atë edhe për 15 ditë pasi ishin vërejtur radhë të gjata para qendrave për riregjistrim.

Targat KM, dhe me akronime të tjera serbe për qytetet e Kosovës janë lëshuar nga autoritetet serbe dhe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë.

Sipas Qeverisë së Kosovës, nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3.405 qytetarë kanë konvertuar targat e tyre në RKS dhe komunat me numrin më të madh janë Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi.

“Ndërsa, nga tërë procesi prej vitit të kaluar janë gjithësej 4210 konvertime të tabelave”, bëri të ditur Fetoshi duke theksuar se “përveç lehtësirave financiare, në afatin e kaluar, ne ndryshuam edhe udhëzimin administrativ në mënyrë që qytetarët tanë të komunitetit serbë në veri të mund të regjistrojnë veturat e tyre me targat e regjionit në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit të tyre”.

Sipas Qeverisë së Kosovës i tërë ky proces ka për qëllim ligjshmërinë dhe sigurinë në trafik.

Qarkullimi i veturave me targa të tilla është toleruar deri më tani në veri, ndërsa në zonat e banuara nga serbët në jug të Ibrit, ato ishin larguar nga përdorimi më shumë se dhjetë vjet më parë.

Sipas përllogaritjeve të sektorit civil serb, në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, ka pasur rreth 10.000 vetura me targa KM.

Çështja e targave KM është ka shkaktuar kriza në veri që çuan në protesta, daljen e serbëve nga institucionet dhe vendosjen e barrikadave.

Tensionet në veri kulmuan më 24 shtator të këtij viti me një sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve lokalë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues serbë.

Kurti: Serbia vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjet në rastin ‘Panda’

Kryeministri Albin Kurti përmes një statusi në Facebook ka rikujtuar 25-vjetorin e rastit “Panda” në Pejë, duke e quajtur sulm terrorist të Serbisë. Kurti ka thënë se shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjve serb edhe pas një çerek shekulli, sikurse vazhdon të mos pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-99.

Ka thënë se kjo heshtje flet për mendësinë e pandryshuar politike të Serbisë karshi Republikës së Kosovës.

“Dëshmon për lidhjen e ngushtë mes mosnjohjes të së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohjes së pavarësisë sonë”, ka thënë ai.

Ai ka shkruar se më 14 dhjetor 1998, autoritetet serbe inskenuan vrasjen e të rinjve serb në kafiterinë “Panda” në Pejë.

Sipas tij, Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë.

“Pas këtij rasti, më shumë se 150 shqiptarë u arrestuan në Pejë. Më 17 dhjetor 1998, u arrestuan edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami. Më i madhi prej tyre ishe 22 vjeç, ndërsa më i riu 17. Ata u burgosën në Pejë, ku u torturuan në mënyra çnjerëzore. Në qershor 1999, me rreth 400 të burgosur të tjerë, u dërguan në burg në Leskovc të Serbisë. Në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të gjashtit të pafajshëm. Ata u dënuan me nga një vit burg për shkelje të rendit publik. Një muaj më pas, me ndërmjetësimin e organizatave ndërkombëtare, pesë nga ta u liruan. Behar Bajri u mbajt në burg deri më 6 dhjetor 2000”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit, përderisa të rinjtë shqiptarë të burgosur padrejtësisht ende i vuajnë pasojat e torturave brenda burgjeve serbe, në Serbi ende askush nuk është dënuar për këtë rast.

Ka shtuar se prindërit e të vrarëve kanë kërkuar që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dëshmojë lidhur me deklaratat e tij. Ai kishte thënë se “krimi në “Panda” nuk është bërë nga shqiptarët”.

Apeli ul në 22 vjet burgim dënimin ndaj Salih Mustafës

Salih Mustafa në sallën e gjyqit në Hagë, më 14 dhjetor 2023.

Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka ulur në 22 vjet burgim dënimin prej 26 vjetësh për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Vendimi është bërë i ditur nga kryetarja e trupit të Apelit, Michele Picard, të enjten, në sallën e gjyqit në Hagë ku i pranishëm ishte edhe Mustafa.

Aktgjykimi i 14 dhjetorit është i pari i Apelit për krime lufte i shqiptuar në Gjykatën Speciale.

Salih Mustafa, ishte dënuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata Speciale, me 26 vjet burgim si dënim të njësuar për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Ai ishte dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.

Mustafa ishte shpallur i pafajshëm për trajtim mizor. Vetë ai ishte deklaruar i pafajshëm për këto krime.

Më vonë gjatë këtij viti, Salih Mustafa e kishte apeluar vendimin prej 26 vjetësh burgim duke kërkuar shpalljen e një vendimi pafajësie apo ulje të dënimit.

Mustafa kishte pretenduar për gabime juridike dhe faktike nga trupi gjykues, por këto kundërshtime u rrëzuan nga Paneli i Apelit.

Përmes avokatit të tij, Mustafa kishte thënë se gjatë shqiptimit të dënimit, trupi gjykues ishte selektiv dhe mori parasysh vetëm dëshmitarët që dëshmuan kundër Mustafës.

Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar që aktgjykimi dënues të mbetej në fuqi meqë sipas tyre, për këtë kishte prova të besueshme.

Dënimi ndaj Mustafës kishte shënuar aktvendimin e parë të Speciales lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Rrjedha e procesit gjyqësor

Mustafa ishte arrestuar dhe transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.

Krimet për të cilat ai mbahet përgjegjës, është thënë se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Procesi gjyqësor ndaj tij kishte nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe gjatë tij kanë dëshmuar 29 dëshmitarë, 14 prej tyre të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.

Në mesin e këtyre dëshmitarëve kishte edhe persona që u paraqitën si viktima.

Në muajin prill Gjykata Speciale e Kosovës kishte nxjerrë një vendim, me të cilin e detyron Mustafën t’ua paguajë 207 mijë euro viktimave të vrasjes së paligjshme, ndalimit arbitrar dhe torturës.

Në shpalljen e urdhrit për zhdëmtim më 6 prill 2023, gjykata konstatoi se janë tetë viktima të cilave do t’u takojë dëmshpërblimi.

Sipas Prokurorisë së Specializuar në Hagë, në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata Speciale e Kosovës është formuar pas publikimit të një raporti të Këshillit të Evropës më 2011, nën autorësi e senatorit zviceran, Dick Marty. Më 2015, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për formimin e kësaj gjykate.rel

Arrestohet Haxhi Shala, ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

VOA/Leonat Shehu

Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, që trajtojnë krimet e luftës në Kosovë, thanë të martën se është arrestuar Haxhi Shala, një ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një njoftim të Prokurorisë së Specializuar thuhet se zoti Shala u arrestua “për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim citohet kryeprokurorja e Dhomave të Specializuara, Kimberly West, të ketë thënë se është shumë e rëndësishme që të garantohet që qytetarët e Kosovës të flasin për të thënë të vërtetën dhe pa kërcënime për përvojat e tyre.

“Jo vetëm që ky institucion të jetë i aftë të japë drejtësi por edhe për sundimin e ligjit në Kosovë”, citohet kryeprokurorja.

Në aktakuzën e bërë publike nga Dhomat e Specializuara theksohet se “midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Haxhi Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të z. Januzi dhe z. Bahtijari me dëshmitarin 1, për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”.

Sipas aktakuzës, me këtë sjellje “Haxhi Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Me 6 tetor të këtij viti, Dhomat e Specializuara arrestuan Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi, nën dyshimet për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dega në Malishevë, tha në një komunikatë se “bastisjet, arrestimet e ekstradimet, siç ndodhi sot me bashkëluftëtarin Haxhi Shala, bëhen për t’i mbuluar dështimet dhe skandalet e njëpasnjëshme” të Gjykatës së Posaçme.

Në komunikatë thuhet se “përndjekja e çlirimtarëve dhe luftëtarëve te lirisë nga zyra e prokurorit te specializuar ne Hagë, ka një motiv politik. Pengimin e drejtësisë e ka bërë dhe e bën Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë”.

Haxhi Shala i njohur me emrin e luftës si komandant “Topi”, ka qenë edhe deputet i parlamentit të Kosovës.

Gjykata e Posaçme e njohur si Dhomat e Specializuara, trajton pretendimet për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Themelimi i saj nga parlamenti i Kosovës në gusht të vitit 2015, pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, që përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por kjo çështje nuk është përfshirë në asnjë nga akuzat e deritashme ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Hovenier: I habitur me kritikat që po bëhen rreth draft-statutit për Asociacionin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të mërkurën se është i habitur me komentet dhe kritikat që janë duke u bërë për draft-statutin për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të propozuar prej zyrtarëve të lartë perëndimorë.

“Mendoj se fokusi duhet të jetë se si mund të ecë Kosova përpara, duke e adoptuar këtë draft, nëse ka pyetje rreth kushtetutshmërisë, siç e kam thënë edhe më herët, po e them sërish, ekziston vetëm një trup që mund të vendosë se çfarë është në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Hovenier, duke e përmendur se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për kushtetutshmërinë e drafit të propozuar.

Ai i ka bërë këto deklarata, pas një bashkëbisedimi me studentë në Mitrovicë.

Hovenier u ka thënë mediave se qëndrimi amerikan nuk ka ndryshuar lidhur me Asociacionin.

“SHBA-ja beson se është obligim për Kosovën që ta formojë Asociaicionin e komunave me shumicë serbe. E di që natën e kaluar BE-ja dhe Këshilli i tij e kanë rikthesuar atë pritje, që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë lëvizje në atë drejtim. Pozicioni i SHBA-së ka qenë i qartë. Asoacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të jetë nivel i tretë pushteti, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk e duam edhe një Republika Sërpska. Nuk duam diçka që ka ndikim negativ në funksionim të shtetit të Kosovës”.

Hovenier është pyetur edhe nëse mund të ndryshojë drafti i propozuar, ndonëse ai ka thënë se dokumenti në fjalë reflekton qëndrimin e Perëndimit.

“Kjo është pyetje për [të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçakun, mendoj se ai i ka thënë Qeverisë së Kosovës dhe të tjerëve se është i hapur për komente. Mirëpo ekipi i Lajçakut, me mbështetje të SHBA-së, kanë punuar nga afër në këtë draft, për të garantuar se i përmbush të gjitha kushtet që i përmenda. A ka vend për përmirësime? Ndoshta. Por, nuk duhet humbur kohë në specifika për të humbur momentumin, për të ecur përpara me Asociacionin”.

Draft-statuti për Asociacionin u është prezantuar Prishtinës dhe Beogradit në tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë thënë se për ta është i pranueshëm.

Gjërat nuk janë duke ecur përpara, për shkak të kushtëzimeve të palëve.

Në disa takime veç e veç me zyrtarë perëndimorë, në tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjeve me vendin fqinj garanton zbatimin e marrëveshjeve, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka insistuar në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.

Ditëve të fundit, drafti u është dorëzuar edhe partive opozitare në Kosovë.

Në disa prononcime për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të tyre kanë shprehur shqetësimin dhe mospajtime me të.

Sipas tyre, draft-statuti, si i tillë, prek karakterin unitar të shtetit dhe krijon paralelizma në pushtete.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Rreth udhëzimit administrativ për largim të kryetarit

Ambasadori Hovenier ka thënë se SHBA-ja pret nga Qeveria e Kosovës që të jetë fleksibile dhe të bëjë gjithçka që mundet për të garantuar që banorët, që dëshirojnë të largojnë kryetarin e komunës së tyre, të mund të veprojnë ashtu.

Ai i është referuar mundësisë që ofron një udhëzim administrativ, i hartuar nga pushteti, në shtator të këtij viti, i cili parasheh marrjen e disa hapave për largim të kryetarit.

Ambasadori amerikan ka thënë se udhëzimi është publikuar pas një kërkese direkte të SHBA-së dhe BE-së që Kosova të krijojë sistem që qytetarët të mund të largojnë një kryetar, nëse synojnë diçka të tillë.

Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në Kosovë – Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut – kundërshtojnë kryetarët e tyre shqiptarë në këto komuna, të cilët i kanë fituar zgjedhjet e prillit të vitit 2023, të bojkotuara nga banorët serbë.

“SHBA-ja e ka përsëritur se ndonëse katër kryetarët janë zgjedhur në mënyrë ligjore, askush nuk duhet të jetë i kënaqur me zgjedhjet që kanë pasur dalje më pak se 4 për qind të numrit total të qytetarëve të regjistruar”, ka thënë Hovenier.

Hovenier ka thënë se SHBA-ja do të shqetësohet nëse nuk do të ketë fleksibilitet të pushtetit në këtë drejtim.

“Qytetarët gëzojnë të drejtën demokratike, nëse dëshirojnë të nisin një proces për largim të kryetarëve, janë disa kërkesa që të arrihet deri aty, mirëpo presim që pushteti qendror të bëjë gjithçka që mundet, jetë shumë fleksibil, në përputhje me ligjin, që të garantojë që qytetarët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre”.

Ditë më parë, qytetarët e katër komunave kanë nisur kërkesë te kryetarët e kuvendeve komunale – siç e parasheh udhëzimi – për largim të kryetarëve.

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin u ka thënë mediave lokale në gjuhën serbe se e ka refuzuar kërkesën e qytetarëve të komunës “për shkak të arsyeve formale”.

Në deklarimin e tij është thënë se grupi i qytetarëve nuk ka vepruar në pajtim me udhëzimin administrativ dhe se ai nuk mundet “të veprojë dhe të konsiderojë apo të regjistrojë grupin si person të autorizuar”.

Hapat drejt zgjedhjeve, sipas udhëzimit

Udhëzimi administrativ për largim të kryetarit të komunës, i lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i parasheh këta hapa:

  • Kërkesa duhet të bëhet nga i ashtuquajturi grup nismëtar, i cili përbëhet nga tre apo më shumë persona me të drejtë vote në komunën përkatëse.
  • Ky grup e njofton kryesuesin e kuvendit komunal për kërkesën në fjalë, dhe pajisjet me dokumentacionin e nevojshëm.
  • Më pas, grupit i duhet të mbledhë një minimum prej 20 për qind të nënshkrimeve të qytetarëve me të drejtë vote, me kërkesë për largim të kryetarit.
  • Lista me nënshkrime duhet dërguar kryesuesit të kuvendit komunal, e cila më vonë përfundon në Komisionin Qendror Zgjedhor.
  • Nëse KQZ-ja vlerëson se kushtet janë përmbushur, organizohen zgjedhjet për largimin e kryetarit.
  • Nëse në ato zgjedhje sigurohen 50 për qind plus 1 votë për largim të kryetarit, ai largohet prej funksionit dhe organizohen zgjedhje të reja. Në rast të kundërt, iniciativa dështon. Ajo do të mund të përsëritej vetëm pas një viti.

Duke u bazuar në listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e prillit, i bie që, për ta çuar peticionin përpara, në Mitrovicë të Veriut duhen 3.600 nënshkrime, në Leposaviq 2.600 nënshkrime, në Zveçan 1.400 nënshkrime dhe në Zubin Potok 1.300 nënshkrime.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë mund të mbahen në tri raste:

  • nëse kryetari aktual jep dorëheqje
  • nëse qytetarët kërkojnë shkarkimin e tij përmes peticionit, dhe
  • nëse kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

Kurti diskuton me donatorët për strehimin e përhershëm të 60 familjeve të komuniteteve joshumicë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka falënderuar të martën donatorët që janë ofruar për të ndihmuar në gjetjen e një strehimi të përhershëm për 60 familje të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas.

Kurti ka thënë se këto familje janë kthyer në Kosovë prej Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, dhe kanë jetuar në kushte të rënda.

Ato janë strehuar përkohësisht në Obiliq.

“Ka qenë viti i kaluar kur e kam parë fotografinë e njërës prej familjeve në rrjetet sociale. Ata janë kthyer në Kosovë, por pa strehim. Në vend të shtëpisë, ata e kanë krijuar në tendë të improvizuar në një tokë bujqësore. Fëmijë e të rritur kanë tentuar të bëjnë gjithçka për të jetuar me dinjitet”, ka thënë Kurti në konferencë.

Ai i ka falënderuar aktivistët e shoqërisë civile që i kanë dhënë vëmendje këtij rasti.

Mes tjerash, Kurti ka thënë se këto familje kanë përfituar nga paketa e ndihmës, e ofruar prej Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, dhe në këtë çështje ka qenë e përfshirë edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Situata shpesh mund të jetë edhe e komplikuar edhe e thjeshtë. Fakti se si ky grup i familjeve kishte rënë në këtë situatë, kishte të bënte me përgjegjësi ndërkombetare, shtetërore e lokale”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Në nisje të diskutimeve për gjetje të strehimit të përhershëm për këto familje, ambasadori britanik në Kosovë Nicholas Abbott, ka falënderuar komunat e Ferizajt dhe Gjilanit, që kanë shprehur gatishmëri për të ndarë tokë për ndërtim të shtëpive për këto familje.

Abbott ka bërë thirrje që të ndihmohen të gjithë personat që dëshirojnë të kthehen në Kosovë, “të kenë qasje në shëndet, arsim, dhe që procesi i integrimit të jetë sa më i lehtë”.

Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkalinj dhe 11.524 egjiptas.

Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka të dhëna për nivelin e edukimit të këtyre komuniteteve.rel

Ministri e jep lajmin: 600 pjesëtarë do t’i shtohen FSK-së më 2024

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se 600 pjesëtarë, rekrutë, do t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke filluar nga viti 2024.

Kështu deklaroi ai teksa informoi se nga numri total sa është pesë mijë i përcaktuar për planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, i janë afruar numrit katër mijë.

“600 qytetarë kanë aplikuar dhe kanë gjysma e tyre kanë përfunduar gjatë fazës së … dhe gjysma aktualisht është duke u trajnuar në FSK. Pra 600 pjesëtarë do t’i kemi në FSK duke filluar nga viti 2024, shtesë, që nënkupton se i afrohemi numrit 4 mijë nën total dhe 5 mijë është numri i përcaktuar për planin gjithëpërfshirës të tranzicionit”, tha ai.

Ndërkohë, ministri ka treguar se në këto dy vitet e fundit janë furnizuar jashtëzakonisht shumë me sisteme të armatimit.

Të njëjtat janë modelet e fundit që nuk gjenden as në rajon.

“Pasur parasysh kërcënimet dhe mbi të gjitha synimin e kryeministrit Kurti për të forcuar aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë. Kemi një rritje të buxhetit për armatim.  Vazhdojmë të bëjmë blerje strategjike dhe operacionale. Kemi sisteme antitank që janë blerë, sisteme të ndryshme të armatimit, për kundër ajror jemi në bashkëpunim dhe koordinim për blerjen e tyre. Të gjitha sistemet e armatimit janë sistemet e fundit të armatimit që prodhohen, janë modelet e fundit. Kemi sisteme që nuk gjenden as në rajon dhe më gjerë”, tha ai.

Po ashtu, ministri i Mbrojtjes ka theksuar se dronët Bayraktar të blerë së fundmi po vazhdojnë të testohen.

“Çdo pajisje që i kemi marrë i testojmë. Me dronët kemi vazhduar në testimin, mirëmbajtjen dhe operimin me ta. Normalisht nuk kemi pasur nevojë për të operuar, vazhdojmë të testojmë dhe të shikojmë aspektin e funksionalitetit të tyre. Snajperët që posedojmë janë teknika e fundit ushtarake dhe ato që do t’i blejmë janë modelet e fundit të dizajnuara”, shtoi më tej ai.

Çfarë pajisje është duke blerë FSK-ja?

“Po blejmë të gjitha ato sisteme që i kemi planifikuar në planin gjithëpërfshirës të tranziocionit, që nënkupton sisteme të armatimit për këmbësorinë, sisteme të armatimit për mbrojtje kundërtank, sisteme të armatimit të artilerisë pra për qitje në distanca, sisteme të armatimit të mbështetjes ajrore”.

Të gjitha këto bëhen në koordinim me NATO-n, thotë ministri Maqedonci.sn

Kosovë- Raportohet se Specialja ka arrestuar Haxhi Shalën, Komandant ‘Topin’

Gjykata Speciale ka ndërmarrë një operacion, ku tashmë kanë filluar bastisjet dhe është arrestuar komandant ‘Topi’, Haxhi Shala,.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se aksioni është urdhëruar nga prokurori i Dhomave të Specializuara dhe lidhet me dyshimet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gazeta Express ka kontaktuar me ushtruesin e detyrës së kryetarit të OVL- UÇK, Faton Klinaku, i cili tha se ende nuk ka ndonjë informacion.

Kujtojmë se gjatë këtij viti, Specialja ka kryer bastisje në Kosovë, disa prej tyre në pronat e ish-këshilltarëve të Thaçit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka bërë të ditur se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

ZPS ka deklaruar se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që i frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.

“Janë ofruar të ndajnë informacione për vrasjen”, vëllai i Liridona Ademajt thirrje qytetarëve: Dorëzojini në Polici!

Vëllai i Liridona Ademajt, Leondard Ademaj ka shkruar së fundmi se shumë qytetarë i ofrohen me informacione për rastin e motrës së saj, që lidhen drejtpërdrejt me vrasjen.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai shkruan se interesi i tij është që hetimet të mos dëmtohen nga askush. Leonardi thekson se pret drejtësi nga ana e gjykatës dhe se hetimet iua ka besuar pikërisht Policisë dhe Prokurorisë.

 

  • foto galeri

“Ditët e fundit jemi duke u kontaktuar nga shumë njerëz të cilët kanë ofruar të ndajnë me neve informacione rreth vrasjes së Liridonës tonë.

Ju lusim që të gjitha informacionet që i posedoni t’i ndani me policinë dhe prokurorinë dhe jo me neve. Hetimet ua kemi besu atyre dhe presim drejtësi profesionale dhe të shpejtë nga ana e gjykatës.

Interesi i familjes sonë dhe interesi i përgjithshëm është që hetimet të mos dëmtohen nga askush.
Faleminderit të gjithëve për mbështetjen”, shkruan ai në Facebook.bw

Haxhi Shala intervistohet nga Gjykata Speciale

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, është ftuar të hënën për intervistim nga Gjykata Speciale.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar i biri i Shalës, Flakroni.

Ai ka thënë se Haxhi Shala është duke u intervistuar në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në Fushë Kosovë.

“E kanë ftuar për intervistim, deri më tani e kemi vetëm këtë informatë. Nuk i dimë arsyet, tani ndodhet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, nuk ka dashur të komentojë këtë rast, por ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar operacione në Kosovë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejme”, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) nga kjo zyrë.

Ndërkaq, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, i ka thënë REL-it se forcat e EULEX-it kanë mbërritur në mëngjes në shtëpinë e Haxhi Shalës në fshatin Banjë të Malishevës.

Sipas tij, aty po zhvillohen bastisje.

“Në mëngjes kanë ardhur forcat e EULEX-it në pronat e tij, si zakonisht Specialja siç bën, arsyet nuk i dimë. Bastisjet po vazhdojnë në shtëpinë në Banjë të Malishevës. Ai është marrë në pyetje, është dërguar në EULEX në Fushë Kosovë, për më shumë nuk dimë”, ka thënë Kryeziu.

Së fundi, Specialja e ka arrestuar edhe ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengim të drejtësisë.

Ndërkaq në muajin tetor janë arrestuar dhe transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, të cilët, sipas Speciales “akuzohen për frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë”.

Gjatë këtij viti, Specialja ka kryer bastisje në Kosovë.

Pa dhënë shumë detaje, prokuroria në Hagë kishte bërë të ditur se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Rastet tjera në këtë gjykatë

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi ish-pjesëtarëve të UÇK-së, njëherësh ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.

Ndaras, në një proces tjetër gjyqësor gjykohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala.

Ai akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku supozohet se janë keqtrajtuar disa njerëz dhe njëri prej tyre është vrarë.

Vetë Shala ka thënë se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Speciale e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

Gucati është liruar ndërkohë, nën disa kushte.

Kosova kërkon personat e pagjetur edhe në Bosnje dhe Kroaci, Serbia nuk bashkëpunon

Qytetarët e Kosovës nuk janë marrë me dhunë dhe zhdukur vetëm në luftën e fundit në Kosovë por edhe në luftërat e më hershme në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovin. Për këtë arsye, ditë më parë është mbajtur takimi i grupit rajonal për rastet e paidentifikuara të personave të zhdukur, ku vendi ynë ka arritur identifikimin e njëmbëdhjetë mbetjeve mortore dhe pesë rasteve të konfirmimit të identiteti. Megjithatë, ajo çka mbetet shqetësuese, është identifikimi i lokacioneve në territorin e Serbisë, pasi ende nuk ka ndonjë datë për të vazhduar gërmimet atje.

Dyshuese është edhe identifikimi dhe marrja e mbetjeve mortore nga familjarët në kohën kur gjurmimet i ka bërë Tribunali i Hagës, pasi personat janë identifikuar në mënyrë tradicionale dhe jo me ADN, për çka familjarët luten për bashkëpunim në mënyrë që të vërtetohen edhe një numër i madh i mbetjeve mortore që janë në murgun e Prishtinës.

Nga Komisioni Qeveritarë për të pagjeturit, Kushtrim Gara, thotë për KosovaPress, se ky proces ka filluar që nga viti 2021 dhe se sfida me të cilën përballen janë ende mungesa e informacioneve nga pala serbe.

Ai tha se populli i Kosovës është përballur me luftëra në të gjithë fazën e historisë dhe si pasojë e luftës, kanë duke bashkëpunuar me Kroacinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, për të identifikuar lokacione dhe persona të pagjetur edhe në atë pjesë.

ara: Përveç Serbisë trupa të pagjetur në luftërat e Kosovës, ka edhe në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë

“Një proces që ne e kemi filluar qysh në nëntor të vitit 2021 një proces që ne po e quajmë ri-inventarizimit dhe shqyrtimin e të gjitha rasteve të mbetjeve mortore, sigurisht janë prezantuar të dhënat edhe në kuptimin statistikorë përfshirë 16 identifikime të reja si rezultat i këtij procesi, në fakt 11 identifikime dhe pesë raste në mungesë identiteti por edhe sfidat me të cilat përballemi, që hyn mungesa e informacioneve të besueshme në këtë mungesa e informacioneve të palës serbe në bashkëpunim me palën në këtë proces. Janë diskutuar edhe rastet e paidentifikuara të cilat vazhdojnë të ruhen në AVN, në kujdesin e mjekësisë ligjore të Kosovës por edhe në murgjit e shteteve tjera. Prandaj, një prej çështjeve të adresuara ka qenë edhe rastet e personave te zhdukur, qytetarë të Kosovës si pasojë e luftës edhe në territorin e ish-Jugosllavisë, përkatësisht në luftën e Bosnjës-Hercegovinës dhe në luftën e Kroacisë dhe në bashkëpunim me të dyja republikat po bashkëpunojmë qoftë edhe në komunikim me familjet, fshatrat të familjarëve që të kontaktojmë këto familje siç kemi thënë në vazhdimësi që populli i Kosovës, me rrëmbime me forcë nuk është përballur vetëm këtë luftën e fundit 1998/1999, por në të gjitha fazat e historisë përfshirë edhe vitet 1990 në kohën e okupimit”, tha Gara.

Gara theksoi se në raport me palën serbe për identifikimin e lokacioneve dhe gjetjen e personave të pagjetur, edhe sot është e nevojshme përkrahja nga bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë që të ketë një qasje presioni që pala serbe të jetë më bashkëpunuese me Kosovën.

Gara: Bashkëpunimi me palën Serbe për personat e pagjetur është i mangët, nevojitet përkrahja nga bashkësia ndërkombëtare

Republika e Kosovës mbetet shembull në rajon dhe më gjerë për mënyrën e adresimit të çdo informate që do të mund të kontribuojë më zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur, janë të paktën 13 lokacione të adresuara brenda territorit të Kosovës dhe shumica këtyre lokacioneve kanë rezultuar me rezultat pozitiv në gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore gjatë luftës. ..Ajo çka mbetet shqetësuese, sfidë identifikimi i lokacioneve në territorin e Serbisë, përkundër kërkesave të vazhdueshme ende nuk ka ndonjë datë për të vazhduar gërmimet në lokacion të Serbisë. 6:40 Është më se e nevojshme edhe më tutje përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare në kuptim të presionit te pala serbe për të qenë më bashkëpunuese në ketë proces dhe për të vënë në dispozicion të dhënat nga arkivat e tyre. Meqë ne jemi shumë të sigurtë që varrezat masive duhet të jenë në këtë hapësirë por është e nevojshme që të kemi të dhëna nga arkivat në institucionet e Serbisë, meqë po flasim për një zonë në afërsi të minierave që them kusht ishte që ky ndryshimi i tereni është i natyrshëm, prandaj jemi 24 vite pas luftës dhe të gjitha të dhënat nga institucionet serbe dhe ato ndërkombëtare të vënë në dispozicion të këtij procesi, dhe pastaj ne do të mund të saktësonim lokacionet apo do të mund të zgjidhnim rastet e personave te zhdukur në përpjekje të respektimit të drejtave familjarë për ta ditur vendndodhjen e me të dashurit të tyre, të rrëmbyer me forca gjatë luftës në Kosovë”, u shpreh Gara.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Familjeve të Zhdukura, Ahmet Grajçevci shtoi se gërmimet po vazhdojnë të neglizhohen shkaku i Serbisë. Ai ka lutur edhe familjet që të adresojnë gjurmët e personave nga lufta për shkak se në mungesë identiteti në murgun e Kosovën, është një numër mjaft i madh i trupave.

Grajcevci: Murgu i Kosovës ka një numër të madh të trupave në mungesë identiteti

“Gërmimet si duket në vitin e fundit janë neglizhuar  pak jo nga shkaku i Qeverisë së Kosovës por shkaku i Serbisë, ajo është shkaktarë numër një e cila nuk lejon që të hulumtojnë në Serbi. Sa i takon territorit të Kosovës, aty janë gërmimet të cilat bëhen, hulumtojnë edhe varrezat të cilat i ka eksploruar edhe Tribunali i Hagës në vitin 2000/2003 deri 2007 dhe aty po gjenden mbetje mortore. … Ajo që neve na sjell telashe se familjarët të cilët i kanë marrë gjatë kohës së gjurmimit të Tribunalit të Hagës, këtu e kemi atë problemin se shumica i kanë marrë në bazë tradicionale, në bazë të rrobave kur e dimë se para ekzekutimit, Serbia i ka zhveshur dhe i ka dhënë ultimatum 1 minutë ose dy minuta me u vesh, 100 persona nuk ka mundur të gjejnë rrobën e vet dhe kështu që e kemi një numër të madh të mbetjeve mortorë në murg, e cila dëshiron qasje. … Ne kemi edhe njerëz të zhdukur në territorin e Bosnjës, në Kroaci dhe punëtorë ose qofshin udhëtarë që kanë udhëtuar nga Sllovenia në Kosovë, janë të zhdukur edhe për këtë duhet me ligj dhe të rregullohet edhe çështja e tyre… I lusim familjarët të gjithë ata që i kanë marrë në mënyrë tradicionale prej Tribunalit të Hagës në varrezat masive, të na japin pesë pika gjak nuk i kushton asgjë, nuk do të prekim varrin dhe lapidarin, vetëm na intereson për ato analiza a janë në murg ose jo”, tha Grajcevci.

Mbi 1.600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. /KP/

Nënshkruhet kontrata me kompaninë serbe për shpërndarjen e energjisë elektrike në veri të Kosovës

VOA

Korporata e Kosovës për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike tha se është nënshkruar kontrata me kompaninë ‘Elektrosever’, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Zubin Potok, Leposaviç, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Nënshkrimi i kontratës, që u bë pa bujë dhe larg syve të medias, është pjesë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë që ishte arritur në vitin 2013 dhe më pas qe konfirmuar në vitin 2015, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në bazë të marrëveshjes, në qershor të vitit 2022 Zyra e Rregullatorit për Energji i dha licencën e operimit kompanisë serbe “Elektrosever”, e cila do të merret me shpërndarjen e energjisë elektrike në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

Çfarë përmban udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë?

1. Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) do të lëshojë një licencë furnizimi për Elektroseverin. ZRRE-ja do të sigurojë pajtueshmërinë me kushtet e përcaktuara me licencën e furnizimit, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ të Kosovës.

2. Brenda shtatë ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të njoftojë KEDS-in dhe KOSTT-in për të dhënat më të reja të konsumatorëve, përmes Bashkimit Evropian.

3. Brenda 10 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës. Marrëveshja kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, marrëveshja për detyrimin e bilancit me KOSTT-in, marrëveshja për kyçje me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorit të ri) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të nenit 5 të marrëveshjes së vitit 2013.

4. Brenda 15 ditësh nga nënshkrimi marrëveshjeve të nevojshme me KOSTT-in, Elektroseveri do të pajisjet me Kodin e Identifikimit të Energjisë (EIC) për të kryer veprimtaritë e parashikuara me licencë.

5. Në përputhje me nenin 14 të marrëveshjes për energjinë të vitit 2015, brenda periudhës 30 ditëshe nga lëshimi i licencës për furnizim, KEDS-i dhe KOSTT-i (nën ndërmjetësimin e BE-së, nëse ka nevojë) do të kenë qasje te nënstacioni i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër të shpërndarjes

6. Brenda 45 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, KOSTT-i dhe KEDS-i pas konsultimit me Elektroseverin do të dorëzojë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese

7. Brenda 21 ditësh pas dorëzimit të planit të investimit dhe kostos së kërkuar të mirëmbajtjes dhe humbjeve të rrjetit, ZRRE-ja do të aprovojë në parim këto plane, kostot dhe humbjet.

8. Në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditësh të lëshimit të licencës, ZRRE-ja mund të vendosë për pezullim apo tërheqje të licencës për Elektroseverin, në konsultim paraprak ndërmjet palëve, e të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, brenda një afati kohor prej 15 ditësh. BE-ja do të ofrojë opinion të ekspertëve, nëse kërkohet të paktën nga njëra palë.

9. Zbatimi i suksesshëm i udhërrëfyesit është pa paragjykim ndaj detyrimit të palëve për të zbatuar plotësisht marrëveshjet energjetike të vitit 2013 dhe 2015.

“Ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë, dhe ne jemi të kënaqur që kemi arritur këtë moment historik”, thuhet në një njoftim të KEDS-it, në të cilin theksohet se kompania pret “bashkëpunimin me Elektroseverin, i cili do të jetë sukses kyç për shërbimet e shpërndarjes dhe investimeve në komunat e lartpërmendura”.

Nuk pati ndonjë koment qoftë nga qeveria e Kosovës apo ajo e Serbisë, ndërsa Bashkimi Evropian e mirëpriti marrëveshjen, duke e cilësuar atë një hap drejt zbatimit të udhërrëfyesit për të cilin palët janë pajtuar në qershor të vitit 2022.

“Nënshkrimi i kësaj kontrate nënkupton që Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Kjo do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”, thuhet në një komunikatë të Bashkimit Evropian.

Që nga përfundimi i luftës së vitit 1999, banorët në veri të Kosovës nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike. Deri në vitin 2017, shpenzimet e energjisë në atë zonë janë mbuluar nga faturat e qytetarëve në pjesën tjetër të Kosovës, ndërsa nga 2017, paguhen përmes buxhetit të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se me zbatimin e marrëveshjes për energjinë do të kursehen dhjetëra miliona euro në vit që paguhen për energjinë e shpenzuar elektrike në veriun e Kosovës.

“BE-ja përgëzon të gjitha palët e përfshira” që e bënë të mundur marrëveshjen dhe nënshkrimin e sotëm të kontratës, thuhet në një komunikatë në të cilën nënvizohet se blloku pret që “Kosova dhe Serbia të vazhdojnë me shpejtësi zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë, si dhe të gjitha Marrëveshjet e tjera të arritura në bisedime në interes të normalizimit të marrëdhënieve”.

Kosova dhe Serbia që aspirojnë integrimet evropiane të cilat janë të kushtëzuara me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre janë përfshirë në një proces bisedimesh që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh.

Në shkurt dhe mars të këtij viti Kosova dhe Serbia u pajtuan rreth një marrëveshjeje që kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja nuk i uli tensionet ndërmjet palëve, të cilat u përkeqësuan në fund të shtatorit pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.

Sulmi u pasua nga shtimi i pranisë së forcave të NATO-s në Kosovë, por edhe një shtim përpjekjesh perëndimore për t’i nxitur palët të përshpejtojnë normalizimin e marrëdhënieve, mes shqetësimeve se Rusia mund të përpiqet të nxisë konflikt në Ballkan, për të shmangur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Udhëheqësit më të lartë evropianë i kërkuan më 26 tetor Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.

Javën që vjen Bashkimi Evropian pritet të debatojë politikat e zgjerimit dhe në kuadër të diskutimeve pritet miratimi i përfundimeve që është paralajmëruar se do të përfshijnë kërkesën që Komisioni Evropian ta bëjë marrëveshjen e Ohrit pjesë të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në bllok, përkatësisht të kapitullit 35 të negociatave.

Përfundimet pritet të miratohen nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare në një takim më 12 dhjetor dhe më pas nga Këshilli Evropian, në një takim të udhëheqësve që do të zhvillojë punimet me 14 dhe 15 dhjetor.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha të mërkurën se ka mundësi që Marrëveshja e Ohrit të bëhet pjesë e negociatave për anëtarësim, duke ritheksuar qëndrimin se për Serbinë është e papranueshme që Kosova “të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara”.

Autoritetet në Kosovë thanë ndërkaq se janë pajtuar me një projekt statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe i ofruar nga diplomatët perëndimor, por kërkojnë që marrëveshja të nënshkruhet për të mundësuar zbatimin e saj.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha të premten në një intervistë me Zërin e Amerikës se kërkesa perëndimore për themelimin e asociacionit nuk do të plotësohet, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk bën trysni ndaj Serbisë për hapat drejt njohjes së Kosovës.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara u kanë thënë palëve se në mungesë të përparimit për normalizimin e marrëdhënieve, rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në radhë të parë integrimet evropiane.

Serbia i ka shpallur këto integrime synim të saj, por ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së pretendimeve serbe ndaj Kosovës nga ana e Kremlinit.

Vrasja e Liridona Ademajt- “Ka shumë mister”, ambasadori suedez: Po punojmë ngushtë me autoritetet e Kosovës për hetimin e rastit

Në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt, ngjarje që ka tronditur opinionin publik, ka folur ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.

Në lidhje me ngjarjen, ai tha se ka shumë mister dhe është rast i ndjeshëm. “Ne jemi duke punuar pandërprerë rreth këtij rasti së bashku me autoritetet lokale të Kosovës. Ky është një rast shumë i ndjeshëm dhe ka shumë mister rreth këtij rasti, nuk mund të them më shumë, jemi duke punuar në këtë rast bashkë me autoritetet. Por, gjithashtu dua të theksoj se kemi debatuar shumë ditëve të fundit rreth dhunës ndaj grave dhe në kampanjën “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës ndaj grave”, tha ai.

I pyetur nëse Suedia do të kërkojë ekstradimin e bashkëshortit të Liridona Ademajt, Naim Murseli, i cili akuzohet si porositës i vrasjes, ambasadori tha se rasti ka ndodhur në Kosovë dhe se në këtë fazë nuk mund të bëjë komente të tjera.

“Dua të nënvizoj se dhuna duhet të ndalet, janë më shumë se 2000 raste të raportuara nga policia për dhunën ndaj grave. Mbi 2000 raste janë shumë. Kemi 6 raste kundër femicidit dhe në Evropë 20, ku 3 raste janë gjatë vitit 2022, pra mjaft është mjaft”, tha ai.bw

BIRN: Nikolla paralajmëron mbajtjen pa afat në sirtar të ‘mandatit të Xhaçkës’

Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka është bllokuar në Kuvend prej gati 1 viti, ndërkohë që kabineti i kryeparlamentares duket se po shfrytëzon krizën e re mes mazhorancës dhe opozitës si justifikim për shtyrjen e çështjes pa afat.

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka mbetet i pazbatuar prej gati 1 viti në Kuvend, ndërsa kriza e re e përplasjeve mes mazhorancës dhe opozitës duket se po shfrytëzohet për ta mbajtur këtë çështje në sirtar për një kohë të pacaktuar.

Kabineti i kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla pretendoi të premten se moszbatimi i vendimit për mocionin e papajtueshmërisë së mandatit të Xhaçkës lidhej me mungesën e normalitetit të punimeve të Kuvendit.

“Çështja për të cilën ju interesoheni si edhe çështjet e tjera që janë në programin e punës së Kuvendit do të shqyrtohen sa më shpejt, me kthimin e normalitetit të punës në Kuvend,” tha shefi i kabinetit, Kosta Bajraba, në përgjigje të pyetjeve drejtuar Nikollës.

Bajraba nuk iu përgjigj pyetjes se pse situata në Kuvend nuk ishte shqetësim për të vijuar me miratimin e ligjeve të tjera me rëndësi.

Gjykata Kushtetuese në janar shfuqizoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të bllokuar dërgimin për interpretim në këtë gjykatë të mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik” dhe përfitoi veç të tjerash përmes një vendimi qeverie edhe shfrytëzimin e brigjeve të detit.

Për kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, moszbatimi i vendimit të Kushtetueses për Xhaçkën nuk lidhej me situatën në Kuvend.

Bardhi i tha BIRN se deri më tani i kishte dërguar tre kërkesa zyrtare Kryetares së Kuvendit për këtë çështje dhe kishte ngritur shqetësimin dhe në Konferencë, pa marrë një përgjigje.

“Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është shprehje e qartë e vullnetit të mazhorancës për dhunimim e Kushtetutës dhe mbrojtjen e abuzimeve me pushtetin,” tha Bardhi, duke shtuar se “siç votohen ligjet me të cilat financohen me më shumë para oligarkët, mund dhe duhet të votohet për zbatimin e vendimit të GJK”.

Çështja e mandatit të Xhaçkës mbahet nga korriku në zyrën e Nikollës, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshëm parlamentare që do të ndjekë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Legjislacionit nëpërmjet shumicës miratoi një raport ku i sugjeronte asaj rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa opozita sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.

Në fund të shtatorit, Kryetarja e Kuvendit u justifikua me axhendën e ngjeshur në fillim të sesionit parlamentar, ndërsa në tetor zyra e saj i tha BIRN-it se kjo çështje do të shqyrtohej dhe do të kishte një vendim nga Këshilli i Mandateve brenda 2 javëshit të parë të nëntorit.

Pavarësisht pretendimeve që vijnë nga Kuvendi, duket se kjo është një çështje që varet nga vullneti politik i mazhorancës, pasi kryeministri Edi Rama e quajti të paqartë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Mandati i Xhaçkës është vënë në pikëpyetje për shkak të përfitimit të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi të statusit të investitorit strategjik për një hotel në Dhërmi si dhe lejen për shfrytëzimin e brigjeve përpara hotelit. Ndërkohë disa javë më parë, Prokuroria e Posaçme, SPAK, vendosi masën e sekuestros preventive mbi një sipërfaqe toke prej 5512 m2 në pronësi të Gaçit në bregdet, pasi dyshohet se u përfitua përmes dokumenteve të falsifikuara./ BIRN

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës: Kemi ngritur 33 aktakuza për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se deri tani ka ngritur gjithsej 33 aktakuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.

“Nuk vjen në shprehje, në asnjë mënyrë, asnjë përkatësi nacionale, qoftë serb, shqiptar, boshnjak, malazez. Drejtësinë do ta bëjmë të barabartë për të gjithë. Ne kemi edhe raste që i kemi prioritet, në mesin e tyre ka qenë Burgu i Dubravës, Meja. Por, kemi prioritet edhe vrasjen e një gazetari serb, për të cilin jemi duke hetuar në mënyrë intensive”, ka thënë kryeprokurori Blerim Isufaj, në një konferencë për media, të premten në Prishtinë.

Në këtë konferencë, Prokuroria ka dhënë detaje për rastin e Masakrës së Mejës, dhe asaj në Burgun e Dubravës.

Sipas prokurores Drita Hajdari, rasti i Mejës është trashëguar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX, që e kishte hapur hetim në vitin 2013 kundër 18 personave.

Ajo bëri të ditur se me pranimin e rastit në fund të vitit 2018, prokurorët vendës e kanë vazhduar hetimin, duke e zgjeruar atë edhe për 35 persona të tjerë, e duke e çuar në 53 numrin total të të pandehurve në këtë rast.

Lidhur me Masakrën e Dubravës, për të cilën ka filluar shqyrtimi gjyqësor të enjten në Prishtinë, prokurori Ilir Morina ka thënë se në këtë rast janë 88 të pandehur, teksa hetimi po vazhdon.

Ai ka thënë, po ashtu, se edhe ky rast është trashëguar nga EULEX-i.

Morina ka bërë të ditur se është vetëm një i pandehur në paraburgim, derisa për të tjerët po vazhdon hetimi.

Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë./REL

Dënohen me nga dy vjet burgim të akuzuarit për sulm ndaj gazetarit Syla


Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten ka shpallur aktgjykim fajësues për tre të akuzuarit për sulm ndaj gazetarit Valon Syla, duke i dënuar me nga dy vjet burgim. Ata janë dënuar për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

Valon Syla ishte sulmuar në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2020, pak pasi kishte dalë nga një studio televizive.

Ai pati thënë në llogarinë e tij në Facebook se është sulmuar për shkak të disa postimeve kritikuese për disa udhëheqës fetarë.

Të dënuarve L.D, K.H dhe O.H do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, prej datës 14 prill deri me datë 07 dhjetor 2023.

“Të akuzuarve u është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak, ndërsa obligohen që secili veç e veç të paguajë të gjitha shpenzimet e procedurës; në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 200 eurosh, ndërsa shumën prej njëqind 100 eurosh ta paguajnë për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, njoftoi gjykata.

Gjykata ka refuzuar kërkesën e Sylës për dëmshpërblim prej 30 mijë eurosh.

Pas vendimit, Syla ka reaguar në Facebook duke thënë se, “Kosova pra ka shpresë, kur secili prej nesh e kryen detyrën e vet dhe e ka përnjëmend. Pra, unë e kryejta timen, kolegët e mi gazetarë e kryen të vetën, policia reagoi dhe i kapi në afat rekord sulmuesit fanatikë, drejtësia po ashtu në fund krejt këtë mund e shpërbleu me drejtësi të merituar”.

Në nëntor të këtij viti, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2022 regjistroi 33 raste, ku gazetarët ishin viktima të dhunës fizike, të sulmeve apo kërcënimeve ndërkaq në vitin 2021 u regjistruan 29 raste të tilla.

​Interpoli lëshon urdhër-arresti për Milan Radojçiçin

Interpol-i ka lëshuar fletarrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Radoiçiq po ashtu është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

Ai dyshohet se është edhe organizator i agresionit të Banjskës më 24 shtator, ku u vra edhe polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Nga grupi terrorist, u vranë tre persona, derisa Milan Radoiçiq me një numër pjesëtarësh arriti të ikë në Serbi.

Muaj më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar video nga banesa dhe vila ekskluzive e terroristit Milan Radoiçiq për çka pati shkruar se kanë dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi grupit terrorist në Banjskë ishte Milan Radoiçiq.

Ndërkaq, sot, është raportuar se Policia e Kosovës ka konfiskuar një anije me shpejtësi të madhe e që i përket Radoiçiqit.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh i sanksionuari i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Milan Radoiçiq, ka pranuar publikisht se ka marrë pjesë në organizimin e grupit terrorist që ushtroi agresion ndaj Kosovës, më 24 shtator.

Lidhur me këtë ai është marrë në pyetje nga një Gjykatë në Beograd, ndërsa është liruar nga mbajtja, një ditë pas marrjes në pyetje.

KQZ-ja i drejton te kuvendet komunale hartuesit e kërkesave për shkarkim të kryetarëve në veri

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në Kosovë, e ka konfirmuar të mërkurën se ka pranuar disa shkresa me kërkesë për largim të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Bëhet fjalë për kryetarët e komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Të martën, një grup qytetarësh të këtyre komunave, kanë thënë se kanë tentuar të bëjnë kërkesë për “shkarkimin e kryetarëve aktualë”.

Kryetarët shqiptarë janë vendosur në objektet komunale në veri, në fund të majit, hap që ka nxitur protesta të serbëve lokalë.

Ata i kanë fituar zgjedhjet e mbajtura në prill, të cilat janë bojkotuar nga serbët atje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ky institucion i ka pranuar shkresat, mirëpo hartuesit e tyre i ka deleguar te kryesuesit e kuvendeve komunale të komunave përkatëse, si autoritete kompetente për ta trajtuar këtë çështje.

Ai është thirrur në aktet nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Pas protestave që janë bërë kundër kryetarëve shqiptarë në këto komuna, dhe kërkesës së faktorit ndërkombëtar për mbajtje të zgjedhjeve të reja në atë pjesë, autoritetet e Kosovës e kanë publikuar një udhëzim administrativ, që parasheh procedurën se si mund të largohet një kryetar nga komuna.

Një ditë më parë, edhe kryetari i Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut Nexhat Uglanin, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo “iniciativë” e qytetarëve nuk i është dorëzuar, dhe nuk është në përputhje me udhëzimin administrativ të Qeverisë së Kosovës.

“Kjo kërkesë nuk i është dorëzuar kryetarit ( të Kuvendit komunal) dhe nuk i është dedikuar kryetarit të Kuvendit, por i dedikohet kryetarit të komunës, me arsyetimin se shërbimet ndaj qytetarëve nuk janë të mira”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë të martën se autoritetet e Kosovës kanë treguar se “nuk janë të interesuara për ndonjë shtensionim dhe normalizim të situatës në katër komunat në veri të Kosovës”.

Si shembull për një gjë të tillë, Petkoviq ka përmendur se “përfaqësuesit shqiptarë” në komunat në veri kanë refuzuar të pranojnë një iniciativë qytetare, të arsyetuar, sipas tij, për largimin e “kryetarëve të rremë dhe jolegjitimë”.

Hapat drejt zgjedhjeve, sipas udhëzimit

Udhëzimi administrativ për largim të kryetarit të komunës, i lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, i parasheh këta hapa:

  • Kërkesa duhet të bëhet nga i ashtuquajturi grup nismëtar, i cili përbëhet nga tre apo më shumë persona me të drejtë vote në komunën përkatëse.
  • Ky grup e njofton kryesuesin e kuvendit komunal për kërkesën në fjalë, dhe pajisjet me dokumentacionin e nevojshëm.
  • Më pas, grupit i duhet të mbledhë një minimum prej 20 për qind të nënshkrimeve të qytetarëve me të drejtë vote, me kërkesë për largim të kryetarit.
  • Lista me nënshkrime duhet dërguar kryesuesit të kuvendit komunal, e cila më vonë përfundon në Komisionin Qendror Zgjedhor.
  • Nëse KQZ-ja vlerëson se kushtet janë përmbushur, organizohen zgjedhjet për largimin e kryetarit.
  • Nëse në ato zgjedhje sigurohen 50 për qind plus 1 votë për largim të kryetarit, ai largohet prej funksionit dhe organizohen zgjedhje të reja. Në rast të kundërt, iniciativa dështon. Ajo do të mund të përsëritej vetëm pas një viti.

Duke u bazuar në listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e prillit, i bie që, për ta çuar peticionin përpara, në Mitrovicë të Veriut duhen 3.600 nënshkrime, në Leposaviq 2.600 nënshkrime, në Zveçan 1.400 nënshkrime dhe në Zubin Potok 1.300 nënshkrime.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë mund të mbahen në tri raste:

  • nëse kryetari aktual jep dorëheqje
  • nëse qytetarët kërkojnë shkarkimin e tij përmes peticionit, dhe
  • nëse kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.rel

“Drejtësi për gratë e vrara”: Në Prishtinë protestohet pas vrasjes së Liridonës

Protestuesit mbajnë në dorë një baner me mbishkrimin “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave!” gjatë protestës kundër dhunës dhe vrasjes së grave, pas vrasjes së Liridona Murselit më 29 nëntor 2023, e marte, 5 dhjetor 2023.

Qindra njerëz kanë protestuar të martën pasdite në Prishtinë kundër dhunës dhe vrasjes së grave, rreth një javë pas vrasjes së një gruaje 30-vjeçare në kryeqytet – një rast që e tronditi vendin.

Liridona Murseli u vra të mërkurën, më 29 nëntor, në fshatin Bërnicë, disa kilometra larg kryeqytetit Prishtinë.

Vrasja e saj tronditi vendin, sepse bashkëshorti i saj, Naim Murseli, u arrestua si i dyshuar për organizimin e vrasjes së saj.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili e organizoi marshin protestues, bëri thirrje për ndaljen e dhunës ndaj grave.

“Jemi mbledhur sepse vajzat dhe gratë në Kosovë janë në rrezik. Jemi mbledhur për të treguar edhe një herë se kjo gjendje lufte, që ne si vajza e gra e përjetojmë, duhet të përfundojë një herë e përgjithmonë. E kjo mund të ndodhë vetëm nëse të gjitha ne bashkohemi në luftën që ne si gra po e bëjmë çdo ditë. Në shtëpi, në punë, në rrugë, në shkollë dhe në shtet”, tha ajo.

Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si, “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” dhe “Vrasësit e grave në burg”, dhe duke brohoritur “Liri, barazi, solidaritet”, “Drejtësi për Liridonën” dhe “Drejtësi për gratë e vrara”, protestuesit marshuan nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës në qendër të qytetit.

Protestuesit veshin fanella me fotografinë e Liridona Murselit, e cila u vra më 29 nëntor në Prishtinë. Si i dyshuar për vrasjen e saj u arrestua edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Protestuesit veshin fanella me fotografinë e Liridona Murselit, e cila u vra më 29 nëntor në Prishtinë. Si i dyshuar për vrasjen e saj u arrestua edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Liridona është gruaja e katërt që u vra sivjet në Kosovë.

Të dyshuar për vrasjen e Liridonës janë bashkëshorti i saj, Naim Murseli dhe dy persona të tjerë me inicialet G.P, dhe K.K, sipas Policisë së Kosovës. Gjykata u ka caktuar atyre një muaj paraburgim.

Fillimisht, u raportua se Liridona u vra gjatë një grabitjeje, por prokuroria dyshon se bashkëshorti i saj, Naimi, e organizoi vrasjen, siguroi armën për dorasin dhe premtoi 30 mijë euro shpërblim.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, në periudhën janar-tetor të këtij viti, në Kosovë u raportuan tri gra të vrara brenda familjes.

Po sipas policisë, në dhjetë muajt e parë të vitit u evidentuan 2.186 raste të dhunës në familje – prej të cilave viktima ishin mbi 1.700 gra.

Gjatë gjithë vitit 2022, ndërkaq, ishin 2.765 raste të dhunës në familje, me mbi 2.200 viktima gra – katër prej tyre të vrara.

Në bazë të raportimeve të Policisë së Kosovës dhe Rrjetit të Grave të Kosovës, numri i përgjithshëm i grave të vrara në Kosovë nga viti 2010 deri në nëntor të këtij viti është 55.

Takimi me Edi Ramën- Vrasësi i Liridonës donte të bëhej investitor strategjik në Shqipëri

Babai i Naim Murselit, i cili akuzohet se porositi vrasjen e bashkëshortes së tij, pohoi se djali i tij ka punuar që 14 vjeç. Në një intervistë për emisionin ‘Me zemër të hapur’ në News24, të moderatores Evis Ahmeti, Shaban Murseli tha se Naimi ka pasur dhe bisedime dhe takime në Tiranë për t’u bërë investitor strategjik. Ai tha se djali nuk ka pastruar paratë e askujt, as të politikanëve, pasi ka punuar vetë.

Si është e mundur që në këtë moshë Naimi të ketë kaq shumë para dhe biznese?

Ka punuar që në moshën 14-vjeçare.

Djali juaj ka qenë shpesh në Shqipëri në takime me politikanë të nivele të larta. Mesa di ka biseduar për investim strategjik në Shqipëri? E vërtetë është kjo?

Po, në Shqipëri ka takuar presidentë, kryeministra. Ka takuar Edi Ramën. Ka qenë dhe në çeljen e punimeve për aeroportin e Vlorës.

A ke dijeni në lidhje me mundësinë e borxheve?

Ato kurrë, s’ka luajtur he s’di të luajë. Nuk është e vërtetë. Madje i ka urryer. Kam dëgjuar se ka pasur lidhje dashurie me burrë, kjo që po shkruajnë është e tmerrshme.

Sveçla, Hajdari, Haxhiu e Gërvalla marrin pjesë në rivarrimin e Liridona Ademajt

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mori pjesë në rivarrimin e Liridona Ademajt, 30-vjeçares e cila u vra mizorisht të mërkurën në Bërnicë të Prishtinës.

Pjesëmarrëse në rivarrim janë edhe dy ministret Donika Gërvalla e Rozeta Hajdari.

Me kërkesë të familjarëve, trupi i Liridona Ademajt, e cila u vra të mërkurën mizorisht në Prishtinë, u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës dhe po varroset në fshatin e saj të lindjes, Rracaj.

Prokuroria e miratoi kërkesën e familjes për rivarrimin e 30-vjeçares, e cila dyshohet se u vra në një skenar të organizuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Ai dje doli për herë të parë para gjykatës, së bashku me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, dy të pandehurit tjerë me të cilët ekziston dyshimi i bazuar mirë se e organizoi vrasjen e Liridonës.

Gjykata Themelore e Prishtinës dje ua caktoi nga një muaj paraburgim secilit, pasi sipas gjykatëses së procedurës paraprake, “ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale”.

Prokuroria në Hagë: Do të ndjekim të gjithë ata që frikësojnë dëshmitarët

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë tha se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.

Reagimi i kësaj zyre vjen pasi trupi gjykues në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, ka miratuar masat, e kërkuara nga prokuroria, që kufizojnë komunikimet e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Kufizimi, sipas prokurorisë, erdhi si përgjigje për “kërcënimet ndaj integritetit të procesit”.

“ZPS-ja e ndërmori këtë hap si përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë tek dëshmitarët e për të penguar dëshmitë e tyre, dhe kërcënimeve të mëtejshme ndaj integritetit të procesit në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët”, deklaroi ZPS përmes një komunikate për media.

Sipas prokurorisë, tre të akuzuarit përdorën vizitat jo të privilegjuara “për të shpërndarë në mënyrë të paligjshme informacione konfidenciale dhe, në rastin e Thaçit, për t’i instruktuar vizitorët në mënyrë të përsëritur që të kërkojnë të manipulojnë dëshmitë e dëshmitarëve”.

Kërkesën për kufizim të komunikimeve, prokurorja e specializuar e kishte drejtuar javë më parë, ndërsa trupi gjykues kishte marrë vendim të përkohshëm më 17 nëntor të këtij viti.

Lidhur me këtë çështje, trupi gjykues ka publikuar vendimin e fundit më 1 dhjetor.

Çka vendosi trupi gjykues?

Trupi gjykues, në krye me Charles Smith, vendosi më 1 dhjetor 2023 se vizitat jo të privilegjuara personalisht për tre të akuzuarit do t’i nënshtrohen miratimit paraprak nga regjistruesi.

Trupi gjykues vendosi se “aty ku është e nevojshme, Sekretari duhet të konsultohet me ZPS-në për të përcaktuar nëse ka indikacione se një individ i caktuar ka kryer ose mund të angazhohet në sjellje të papajtueshme me kërkesën e tij/saj për një vizitë jo të privilegjuar te një prej të akuzuarve”.

Në vendim thuhet se të akuzuarit mund të kundërshtojnë para Panelit vendimin për të refuzuar një vizitë, brenda shtatë ditësh nga njoftimi për refuzim.

“Paneli urdhëron që Zyra e Regjistrimit të sigurojë që: (i) Tre të akuzuari nuk duhet të takohen me më shumë se një vizitor në çdo kohë (me përjashtim të vizitave nga bashkëshortët/partnerët dhe fëmijët që mund të bëjnë vizita bashkërisht por pa praninë e ndonjë vizitori tjetër); (ii) zona e vizitës do të jetë pa muzikë ose zhurma të tjera të larta që mund të dëmtojnë komunikimin e dëgjimit; (iii) i vetmi i paraburgosur me të cilin një vizitor bie në kontakt është i paraburgosuri me të cilin ai [vizitori] është autorizuar për ta vizituar; të paraburgosurit nuk duhet t’i bashkohen vizitave të të paraburgosurve të tjerë; (iv) të paraburgosurit nuk duhet të kenë një vizitor personal jo të privilegjuar në të njëjtën kohë me një të paraburgosur tjetër ose brenda një afërsie të tillë kohore që vizitorët mund të kenë mundësi të ndërveprojnë me njëri-tjetrin ose me të paraburgosurit e tjerë”, thuhet në vendim.

Trupi gjykues vendosi që të akuzuarit nuk mund të hyjnë në dhomën e vizitave me dokumente apo materiale të natyrës konfidenciale.

Gjithashtu, mori vendim që të gjithë të paraburgosurit dhe vizitorët duhet të komunikojnë me zë dhe të njëjtit nuk lejohen të komunikojnë fshehtë përmes pëshpëritjes apo gjuhës së koduar.

Veprime të tilla nga të akuzuarit do të shkaktonin ndërprerjen e parkohshme të vizitës.

Trupi gjykues ka theksuar se vetëm avokatët apo bashkë-avokatët e të akuzuarve kanë të drejtë për vizita të privilegjuara. Ndërkaq vizitat nga anëtarë të tjerë të ekipit mbrojtës, ku nuk shoqërohen nga avokati apo bashkë-avokati, nuk janë të privilegjuara dhe i nënshtrohen kufizimeve, përfshirë miratimin e regjistrit.

“Masat shtesë të kërkuara nga ZPS në lidhje me kufizimet në vizitat me anëtarët e ekipit mbrojtës janë në disproporcion me rrezikun e përfshirë. Paneli nuk ka para vetes informata që do të justifikonin masat e tilla. Paneli thekson, për më tepër, se masat e tilla, nëse jepen, mund të kenë efekt të dëmshëm në aftësinë e mbrojtjes për t’u përgatitur. Prandaj, Paneli refuzon të miratojë në këtë fazë masat e tjera të kërkuara nga ZPS në lidhje me vizita nga anëtarët e ekipit të mbrojtjes”, thuhet në vendim.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi si dhe Jakup Krasniqi, ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Gjykimi ndaj tyre ka filluar në prill të këtij viti dhe deri tani kanë dëshmuar 37 dëshmitarë të prokurorisë, ndërsa në total, ZPS-ja ka paralajmëruar mbi 300 dëshmitarë në këtë proces gjyqësor.

Prokuroria i akuzon ish-krerët e UÇK-së për vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë ,ndërsa të gjithë i kanë mohuar akuzat.

Në këtë gjykatë po zhvillohen edhe procese kundër administrimit të drejtësisë, për çka deri tani janë shpallur dy vendime fajësie.

Gjatë këtij viti, Specialja ka kryer bastisje në Kosovë, disa prej tyre në pronat e ish-këshilltarëve të Thaçit. ZPS-ja ka bërë të ditur se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Gjykata në Hagë u krijua pas një raporti të Këshillit të Evropës të vitit 2011, i cili përmbante akuza për trafikim organesh.

Themelimi i këtij institucioni u bë më pas nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, ndërsa aktakuzat e para u konfirmuan në pjesën e dytë të vitit 2020.

Në aktakuzën kundër ish-krerëve të UÇK-së nuk përfshihen akuzat për trafikim organesh.REL

Kurti për rastin e Liridonës: Arrestimi i kriminelëve nuk mjafton, barra e padrejtësive bie mbi supet e grave dhe vajzave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Ai ka thënë personat e përfshirë në vrasje duhet ta marrin dënimin maksimal.

Përmes një shënimi në Facebook, Kurti ka shkruar se Liridona Ademaj u vra me paramendim dhe u vra se ishte grua.

“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua. Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë tutje se arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton, derisa ka kritikuar sistemin e drejtësisë.

“Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore”.

“Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin”.

Kurti ka kërkuar kontributin e të gjithëve për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen.“Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi. Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend”.

“Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu”.

“E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin”, ka shkruar Kurti.

Kujtojmë se, Liridona është vrarë më 29 nëntor në Prishtinë. Në mesin e të dyshuarve për vrasjen e 30-vjeçares është edhe burri i saj,  Naim Murseli

.Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Paraburgim prej 30 ditësh të dyshuarve për vrasjen 30 vjeçares në Prishtinë

VOA

Një gjykatë në Prishtinë vendosi masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për vrasjen e një gruaje 30 vjeçare më 29 nëntor në Prishtinë, që nxiti reagime në shkallë të gjerë.

Vendimi pasoi një seancë gjyqësore më dyer të mbyllura, pas së cilës gjykata tha se masa e paraburgimit prej 30 ditësh iu shqiptua bashkëshortit të së vrarës, Naim Murseli për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Granit Plavës për veprën “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje” dhe Kushtrim Kokallës për veprën “marrëveshja për të kryer vrasjen”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M. Paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29 nëntor rreth orës 20:25 minuta, në fshatin Bernicë të Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000 eurosh”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Të mërkruën, Liridona Murseli, 30 vjeçe, u gjet e vrarë në një makinë. Fillimisht u tha se bëhej fjalë për veprën “grabitje” që çoi në vrasje. Bashkëshorti i kishte thënë policisë se vrasja ndodhi gjatë një përpjekjeje për plaçkitjen e tij derisa ndodhej duke lëvizur me makinë më gruan dhe dy fëmijët. Por më pas ai u arrestua së bashku me dy të tjerë lidhur me vrasjen.

Ndërsa po zhvillohej seanca, para ndërtesës së gjykatë organizata Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, protestoi me “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

Vrasja ndodhi në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “bashkë kundër dhunës – sot dhe çdo ditë tjetër”, nxiti reagime të ashpra.

“Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”, shkroi të shtunën presidentja e Kosovës Vjosa Osmani duke iu referuar të vrarës me mbiemrin e saj të vajzërisë. Që nga e premtja, në rrjetet sociale, kanë vërshuar kërkesat që Liridona të njihet me këtë mbiemër.

Policia e Kosovës tha se nga janari deri në tetor të këtij viti në Kosovë, janë raportuar mbi dy mijë e 100 raste të dhunës në familje. Nëntëdhjetë për qind e viktimave të kësaj dhune janë gratë.

Gjatë vitit të kaluar tri gra u vranë nga bashkëshortët e tyre, ndërsa nga viti 2010 deri në vitin 2022 në Kosovë janë vrarë 50 gra.

Përfundon seanca e mbyllur ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridonës

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka zhvilluar të dielën një seancë ndaj tre personave që dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Murselit, më 29 nëntor, në kryeqytetin e Kosovës.

Në mesin e të dyshuarve është burri i saj, i identifikuar nga mediat lokale në Kosovë si Naim Murseli.

I arrestuar është edhe G.P, i identifikuar nga Policia e Kosovës si dorasi, dhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Seanca ka nisur në orën 9:30, dhe ka qenë e mbyllur për mediat.

Ende nuk dihet masa që pritet të përcaktohet ndaj të dyshuarve.

Afër gjykatës janë parë familjarë të Liridonës, por ata nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancën e parë.

Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ka thënë se është njoftuar që duhet të bëjë kërkesë për të marrë pjesë në seancat e radhës.

Ai ka thënë se i ka dorëzuar kërkesë Prokurorisë për zhvarrosjen e trupit të Liridonës dhe rivarrosjen afër varrezave të shtëpisë së prindërve të saj.

“Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu”, ka thënë vëllai i saj, pas seancës.

Ai ka thënë se beson që autoritetet e Kosovës do të vendosin drejtësi në këtë rast.

Në hyrje të ndërtesës, është mbajtur një protestë, me mbishkrimin “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Pas arrestimit, Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.

“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

Vrasja është dënuar ashpër nga zyrtarë të lartë të Kosovës dhe është bërë thirrje për zbardhjen e rastit.

Me thirrjet kundër femicidit dhe dhunës me bazë gjinore – duke marrë shkas rastin e Liridonës – do të protestohet në mesditën e së dielës në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ndërsa të martën në Prishtinë.rel

Seancë gjyqësore ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridonës

Pallati i Drejtësisë i Kosovës, 3 dhjetor, 2023.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar për të dielën një seancë për tre persona që dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e Liridona Murselit, më 29 nëntor, në kryeqytetin e Kosovës.

Në mesin e të dyshuarve është burri i saj, i identifikuar nga mediat lokale në Kosovë si Naim Murseli.

I arrestuar është edhe G.P, i identifikuar nga Policia e Kosovës si dorasi, dhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Seanca është caktuar në orën 9:30, por nuk dihet nëse do të jetë e hapur për mediat.

Në gjykatë kanë arritur familjarë të Liridonës.

Në hyrje të ndërtesës, disa gra kanë mbajtur në duar mbishkrimin “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Pas arrestimit, Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se, i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.

“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

Vrasja është dënuar ashpër nga zyrtarë të lartë të Kosovës dhe është bërë thirrje për zbardhjen e rastit.

Me thirrjet kundër femicidit dhe dhunës me bazë gjinore – duke marrë shkas rastin e Liridonës – do të protestohet në mesditën e së dielës në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, ndërsa të martën në Prishtinë. REL

Vrasja e Liridonës, Rrjeti i Grave të Kosovës ngre shqetësimin: Mund të jetë femicid. Të zbardhet ngjarja!

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar për vrasjen e Liridona Murselit, me organizim të  bashkëshortit të saj, Naim Murseli.

Në një postim në rrjetin social Facebook, RrGK kërkon zbardhjen e[plotë të vrasjes së 33-vjeçares, ndërsa e quan atë si një femicid.

 

Reagimi i plotë:

 

̈ ̈ ̈ ̈ ̈

RrGK shpreh shqetësimin që edhe një rast i vrasjes së gruas, dyshohet te jetë femicid. Pas lajmit për arrestimin e bashkëshortit të viktimës Liridona Murselit, e vrarë më 29 nëntor në fshatin Sinidoll, afër Prishtinës, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon që hetimi i këtij rasti të trajtohet me urgjencë dhe qasje të drejtë për ta zbardhur këtë tragjedi.

RrGK kërkon nga institucionet që lënda të cilësohet si “Vrasje e rëndë” dhe të dënohet konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ftojmë Qendrën për Punë Sociale që të angazhohet për të siguruar mirëqenien e fëmijëve.

RrGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit. Gjithashtu, RrGK do të monitorojë reagimin instituconal ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore.

RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante.

Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 048 105 800.

Vrasja e Liridona Murselit, reagon Vjosa Osmani: Krim monstruoz, të dënohen autorët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vrasjes së Liridona Ademajt.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Osmani shprehet se krimi monstruoz duhet të marrë dënimin e merituar.

“Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar.

 

Femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive.

 

Prandaj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj.
Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale.

Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme.”, shkruan Osmani.

Dua Beqiri, 6-vjeçarja nga Kosova, kampione e matematikës në Dubai

Dua Beqiri, 6 vjeçe, ka fituar titullin Champion në garat ndërkombëtare te organizuara nga Brainobrain Academy, gara me abakus dhe aritmetikë mentale, në Dubai, më datë 25 nëntor 2023.

Në garë, Kosovën e përfaqësuan 27 fëmijë nga mbi 30000 pjesëmarrës nga e gjithë bota 45 shtete.

Koha e kufizuar ka qënë 3 minuta për të zgjidhur 40 detyra. Dua ka arritur t’i zgjidhë për 2 minuta e 52 sekonda.

Mendja e saj gjeniale arrin saktësinë dhe shpejtësinë e rezultateve për kohën e kufizuar dhe Dua ishte e jashtëzakonshme krahasuar me fëmijët e kategorisë së saj në nivel botëror.

ImageImage

Pagoi dhjetëra mijëra euro për t’i vrarë gruan, kush është Naim Murseli? Jeta e tij luksoze në Suedi dhe fotot e shumta me…

Një prej personave të arrestuar si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Murselit është Naim Murseli. Përveç Murselit, është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar, nga Gjakova, i cili në deklaratën e tij para policisë ka pranuar se ka kryer veprën dhe ka deklaruar se Naim Murseli e ka paguar 30 mijë euro për një gjë të tillë.

Por kush është Naim Murseli?

Murseli në Kosovë njihet për angazhimin e tij si pjesë e stafit të ngushtë të kreut të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Me një shikim të shkurtër në profilin e tij në “facebook”, shihen fotografitë e shumta që Murseli ka publikuar nga jetesa luksoze që ka bërë, në Suedi, por edhe në udhëtime të ndryshme bashkë me Pacollin.

Të shumta janë edhe fotografitë e tij me gruan, Liridonën, e cila është varrosur sot në fshatin e saj të lindjes në Gjakovë.

Sipas të dhënave që janë të disponueshme në internet, Murseli e ka kryer edhe shkollën e mesme në Gjimnazin “Agnebergs” në qytetin Uddevalla nga viti 2006 deri në vitin 2009 në Suedi, megjithatë nuk dihet se në çfarë drejtimi.

Pas kësaj, Murseli ka regjistruar Shkollën për Biznes në vitin 2010 për të diplomuar më pas. Nga viti 2011, ai ka punuar në Suedi si shitës dhe agjent i shitjes në kompani të ndyrshme suedeze.

Ai gjithashtu figuron si themelues i një kompani mediale dhe se është marrë edhe me marketing në Suedi.

Naim Murseli [1990] ka qenë i martuar me Liridona Murselin dhe me të ka dy fëmijë.

Për Murselin sot ka folur edhe këshilltari kryesor i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj. Ai për Express ka thënë se Murseli ishte bërë pjesë e stafit të Pacollit por që zyrtarisht s’ka qenë këshilltar. Sipas Zyberajt, Murseli ka qenë asistent për rrjete sociale për shkak të njojurive që ka pasur në IT.

“Jemi te shokuar nga lajmi per vrasjen e rende te nje nene te re. Na Inkurajon fakti qe reagimi profesional dhe efikas i policise ka qene i menjehershem.Murseli ka qene nje djal i ri eshte bere pjese e stafit te gjere te z.Pacolli, por qe zyrtarisht nuk ka qene keshilltar i tij. E verteta eshte se ka qene asistent per rrjetet sociale per shkak te njohurive te IT qe ka pasur dhe i eshte dhene mundesia nga ish presidenti Pacolli. Megjithate rasti i rende qe ka ndodhur duhet te zbardhet dhe pergjegjesit duhet ta marrin denimin kapital”, ka thënë ai.bw


Send this to a friend