Shkumbin Mehmeti, i dënuar me 30 vjet burgim për sulmin, që u konsiderua terrorist, i ndodhur në vitin 2004, ndaj pjesëtarëve të UNMIK-ut, më 6 shtator 2012 kishte shkruar një deklaratë të cilën e kishte deponuar në Prokurorinë serbe për Krime Lufte, në të cilën shpjegonte versionin e tij se si bashkë me grupin e tij, kishin kryer vrasjen e dy pjesëtarëve të misionit të OKB-së në Kosovë. Në deklaratën e tij, përmenden edhe dy të arrestuarit e EULEX-it dhe PK-së në aksionin e së mërkurës, dhe i ekstraduari nga Gjermania.
Gazeta Express, më 11 mars 2016 kishte publikuar prova sesi Shkumbin Mehmeti ishte rekrutuar nga Nazim Bllaca për të qenë dëshmitar në favor të autoriteteve në Serbi.
Bllaca në një komunikim të cilin e kishte siguruar Express, i tregonte Prokurorisë për Krime Lufte në Serbi, se Mehmetin, po ashtu, e kishte ofruar tek EULEX-i për t’u bërë dëshmitar bashkëpunues nga burgu.
I dënuari për sulmin ndaj UNMIK-ut, në deklaratën që e deponoi në Prokurorinë serbe, përmes Nazim Bllacës, shpjegon versionin e tij për ngjarjen e 24 marsit 2004.
Aty, ai implikon në vrasjen e policëve të UNMIK-ut edhe gjithë bashkë të akuzuarit e tjerë, që më pas u liruan nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës, e cila më 9 nëntor 2007 shpalli fajtor për terrorizëm vetëm Shkumbin Mehmetin, derisa liroi nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.
Kiqmari, të mërkurën u arrestua sërish nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës, bashkë me Alban Dizdarin, raporton Gazeta Express. Arrestimi i tyre u bë gjatë një aksioni bastisjesh në disa lokacione të ndryshe të Kosovës, në kërkim të zbardhjes të po të njëjtit rast. Pak ditë më herët, në Gjermani, për të njëjtat dyshime ishte arrestuar edhe Faik Shaqiri, për t’u ekstraduar në Kosovë.
Ndonëse, Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri ishin arrestuar e akuzuar edhe më parë për të njëjtin rast, Alban Dizdari për herë të parë bie në duart e autoriteteve të sigurisë, si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e dy pjesëtarëve të UNMIK-ut dhe tentim-vrasjen e dy tjerëve.
Megjithatë, Alban Dizdari, ashtu sikurse ish-të akuzuarit tjerë, përmendej në letrën e Shkumbin Mehmetit. Madje, për Dizdarin, Shkumbin Mehmeti në deklaratën e tij thotë se për dallim nga pjesëmarrësit tjerë nuk e kishte të rregulluar maskën derisa ishte kryer akti i cilësuar terrorist i vitit 2004.
“Aty jemi tubuar të gjithë dhe Agroni i ka thënë Bajramit që të shkojë në një breg që ishte afër nesh në anën e Prishtinës, nuk më kujtohet se Faiku a ka shkuar me urdhër të Agronit apo vullnetarisht ka shkuar me Bajramin, dhe detyra e tyre ka qenë se nëse vetura e policisë nuk ndalet, atëherë Bajrami duhej të shtijë në veturën e policisë (nuk më kujtohet se a ka pasur të shtijë në veturë apo në goma të veturës). Më pas Agroni i ka bërtitur Albanit se nuk e kishte rregulluar maskën, dhe ka kërkuar që me policët që ishim duke i pritur për t’i ndalur të flitej në gjuhën angleze, pas kësaj është vërejtur se vetura e policisë është duke u afruar me dritën e kaltër të ndezur dhe posa ka ardhur afër nesh 4 deri 5 metra (apo edhe pak më larg) kanë dalë Albani, X-si dhe Agroni për ta ndalur. Vetura e policisë ishte duke e zhvilluar një shpejtësi shumë të vogël por posa na ka pa neve e ka ngadalësuar edhe më shumë shpejtësinë dhe Agroni apo X-si kanë folur serbisht edhe pse është dashur të flasin anglisht, dhe për një moment kanë filluar të shtënat, të parin që e kam shikuar ka qenë Agroni duke shti me kallash, më pas i kam parë edhe X-sin dhe Albanin, unë menjëherë kam ndërruar vendin dhe kam dalë në asfalt nga ana e Podujevës…”, përshkruan Mehmeti një pjesë të ngjarjes në letrën e siguruar nga Gazeta Express.
Sipas aktakuzës që ishte ngritur ndaj të dyshuarve, e cila dënoi me 30 vjet burgim Shkumbin Mehmetin, policët e UNMIK-ut ishin vrarë nga plumba kallashnikovi. E pikërisht këtë armë, Mehmeti thotë në dëshminë e tij se e ka poseduar Alban Dizdari, i arrestuar sot, e i implikuar për herë të parë në rast nga dëshmia e tij.
“Unë isha i armatosur me top dore, Agroni me kallash gjoksore dhe revole TT, Florimi me kallash për (dhe) gjoksore, dhe revole (nuk jam shumë i sigurt a ka pasur), Faiku ka pasur kallash, gjoksore (nuk jam shumë i sigurt a ka pasur) dhe revole, Bajrami ka pasur mitraloz 84, X-i ka pasur kallash me gjoksore, Albani ka pasur kallash me gjoksore. Ne kemi hipur në Isuzu troper, ngjyrë e kuqe, Agroni ka vozitur, unë jam ulur përpara (arsyeja e uljes time në këtë vend ka qenë për shkaqe sigurie, se kisha me vete predha të topit)…”, pohon ndër të tjera Shkumbin Mehmeti për prokurorinë serbe.
Përveç, arrestimit të Bajram Kiqmarit dhe Alban Dizdarit, të dy nga Podujeva, Prokuroria Speciale e Kosovës e cila po heton rastin, ka njoftuar se në kërkim janë gjithsej shtatë persona. Përfshirë edhe Faik Shaqirin, që të mërkurën në mbrëmje, autoritetet gjermane ia dozuan Policisë së Kosovës, pasi e kishin arrestuar javën e kaluar në Gjermani.
Të tre, të enjten, një ditë pas arrestimit, gjegjësisht ekstradimit, u nxorën para Gjykatës Themelore të Prishtinës, për t’u caktuar masë të sigurisë. Prokurori special ka kërkuar ndalimin e tyre në paraburgim, të paktën për një muaj.
Sipas njoftimeve zyrtare, rasti është duke u hetuar dhe bashkërenduar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Kosovës, derisa urdhrat për arrestimet dhe kërkimet janë dhënë nga një gjyqtar kosovar. Aksionin e bastisjeve dhe arrestimet i ka kryer EULEX-i, me asistencë të njësive elitare të Policisë së Kosovës.
Këto zhvillime kanë ndodhur pikërisht në ditën kur është funksionalizuar Gjykata Speciale. /M.Gj./GazetaExpress/.