920 kosovarë kanë provuar të emigrojnë në Gjermani me viza pune nëpërmjet një agjencie punësimi e cila në fakt ishte një skemë mashtrimi e deputetit Milaim Zeka dhe partnerit të tij, Ilir Krasniqi. Aplikantët kanë paguar nga 50 euro deri në 3500 euro për një vizë pune. Por, në vend të punësimit janë gjendur brenda një skeme mashtrimi. Insajderi ka hulumtuar për më shumë se dy muaj këtë rast. Prokuroria ndërkohë ka nisur hetime. Zeka po hetohet për krim të organizuar, mashtrim dhe shmangie nga tatimi. Partneri i tij ndodhet në paraburgim.
[Milaim Zeka dyshohet se mashtroi 920 kosovarë me viza punësimi në Gjermani]
Më 9 mars të vitit të kaluar, Milaim Zeka kishte prezantuar në emisionin e tij “Pa Rrotlla” një biznesmen shqiptar të suksesshëm dhe të pa korruptuar.
Ilir Krasniqi, tregonte në emisionin e Zekës që transmetohej në RTK, se si një ministër kosovar i kishte kërkuar 3 milion euro ryshfet atij dhe partnerëve gjermanë, për një investim në KEK.
Por, asnjëri nuk ia përmendin emrin për “çështje etike”.
Me diksion krejtësisht të njëjtë, ata bisedonin për këtë investim të mbetur në tentativë si pasojë e një ministri të korruptuar.
Kurrë nuk kanë treguar se kush ishte ky ministër. As nuk kishin shkuar në Polici për ta denoncuar.
Kjo intervistë në fakt kishte një qëllim tjetër: prezantimin e Krasniqit si biznesmen kredibil për t’i hapur rrugë një skeme mashtrimi që po përgatisnin ata dy. Po promovohej një mashtrues me të cilin Zeka kishte hyrë në ortakëri.
Rreth një muaj para kësaj interviste, Zeka e Krasniqi kishin hapur një agjenci për punësimin e kosovarëve në Gjermani. Kompania ka funksionuar më shumë se një vit.
Gjatë kësaj periudhe Milaim Zeka dhe Ilir Krasniqi me anë të kompanisë së tyre kanë mashtruar 920 kosovarë. Atyre u janë marrë nga shuma të ndryshme parash prej 50, deri në 3500 euro.
Certifikata e biznesit
U ishin premtuar viza pune në shtetin më të zhvilluar në Evropë.
Por, në vend të punësimit, këta 920 kosovarë kanë humbur ato pak kursime që kishin. Paratë kanë përfunduar në xhepat e Milaim Zekës dhe partnerit të tij.
Deputeti Milaim Zeka, së bashku me partnerin e tij, Ilir Krasniqin kishin hapur një agjenci punësimi të quajtur “Ilir Krasniqi e Milaim Zeka OP”, me numër biznesi 1284891.
Firma ishte regjistruar më 2 shkurt 2016 në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. “Zyra e punësimit” ishte hapur në të njëjtin ambient me zyrat e portalit “Pa rrotlla” në lagjen “Pejton” në Prishtinë.
Stafi i zyrës kishte mbajtur në krah karta identifikimi me mbishkrimin “Pa Rrotlla”.
Ndërkohë, Zeka ishte tërhequr me letra nga firma me arsyetimin se është person publik. Këtë e ka pohuar partneri i tij, që tashmë ndodhet në paraburgim.
Firma tashmë quhej “Ilir Krasniqi O.P”.
Mashtrimet e Zekës dhe Krasniqit me këtë agjenci tashmë kanë përfunduar. Një hetim penal që kishte nisur kundër Krasniqit është zgjeruar edhe kundër Zekës.
Bazuar në dëshmitë e shumë prej viktimave, deputeti i Nismës për Kosovën, po hetohet si mashtrues i kosovarëve nevojli.
Nga vepra e mashtrimit dhe shmangie nga tatimi, rrjedh vepra e krimit të organizuar. Për krim të organizuar Zeka po hetohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Për këto vepra po hetohen edhe Ilir Krasniqi dhe bashkëshortja e tij, Fixherije Krasniqi.
Insajderi për më shumë se dy muaj ka hulumtuar aferën e mashtrimeve nga Zeka dhe partneri i tij, Ilir Krasniqi. Ka zbuluar mashtrimet si dhe përpjekjet e Zekës për të fshirë gjurmët.
Zeka fshiu gjurmët në portalin e tij
Zeka është kujdesur që të gjitha njoftimet e kompanisë të botuara në portalin e tij, “Pa Rrotlla” të fshihen. Por, këto njoftime kanë mbetur në faqen e portalit “Bota Press”, në të cilat citohet portali i Zekës.
Viktimat e mashtrimit i kanë treguar Insajderit përvojat e tyre prej ditës së aplikimit, deri në momentin që kishin vendosur të deklaroheshin publikisht për këto mashtrime.
A. B., nga Gjakova kishte aplikuar për vizë një vit më herët. Ai ka faturën e një pagese prej 1050 euro në zyrat e portalit “Pa Rrotlla” që gjendet në Pejton, në rrugën “Pashko Vasa” në katin e dytë të një ndërtese në të cilën gjendet kompania e sigurimeve “Sigal”.
Zyrat janë në pronësi të deputetit, Milaim Zeka.
Ai ka treguar për Insajderin detajet e aplikimit, kontratën që nuk i ishte dhënë kopje, dëftesën e pagesës dhe talljet e pronarëve me paratë e tij.
Ka thënë se posa kishte paguar për vizën, gjithmonë ishin gjetur arsyetime për “vonesat e daljes së vizës së punës”.
Viktima të mashtrimit janë deklaruar edhe Baki Thaçi, Drita Zeneli, Fahrije Huskovski, e Veprim Bojaj.
Në kohën kur Insajderi po hulumtonte rastin e mashtrimit, është aktivizuar edhe Prokuroria. Fillimisht është arrestuar dhe paraburgosur Ilir Krasniqi. Ndërkohë, javën e kaluar rasti ka kaluar në Prokurorinë Speciale e cila ka zgjeruar hetimet edhe kundër Milaim Zekën dhe Fixherije Krasniqin.
Hetimi i Prokurorisë
Insajderi ka siguruar këtë aktvendim të prokurorit, Afrim Shefkiu. Në të jepen detaje fillestare të dyshimeve për mashtrimet e Milaim Zekës, Ilir Krasniqit dhe bashkëshortes së tij, Fixherije Krasniqi.
Në aktvendim thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, Milaim Zeka, Ilir Krasniqi dhe Fixherije Krasniqi si grup i organizuar kriminal, i udhëhequr nga Ilir Krasniqi, kanë ndarë detyrat, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
“Fillimisht të pandehurit Ilir Krasniqi e Milaim Zeka me datë 02.02.2016, kanë regjistruar biznesin ‘Ilir Krasniqi e Milaim Zeka OP’, me numër biznesi 1284891, si agjenci punësimi…, kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani”, thuhet në aktvendim.
“Përmes reklamave kanë joshur qytetarët që të aplikojnë në zyrat e tyre në lagjen ‘Pejton’ në Prishtinë, e që me këtë aktivitet kriminal është përfshirë edhe e pandehura Fexhrije Krasniq, për përgatitjen e dokumentacionit për punë në Gjermani, në biznesin e saj.., për rregullimin e kopshteve”, pretendon Prokuroria.
Prokurori saktëson se Milaim Zeka e Ilir Krasniqi, kanë mashtruar rreth 920 aplikues, duke u marrë shuma të caktuara parash.
Prokuroria ka arritur deri tash të vërtetojë se Zeka e Krasniqi kanë përfituar me anë të mashtrimit 249 mijë e 700 euro.
Me përfitimin e kundërligjshëm të kësaj shume parash, deputeti Milaim Zeka dyshohet se ka dëmtuar Republikën e Kosovës duke mos i paguar tatimin.
Ata kanë deklaruar në ATK zero qarkullim, ndërkohë që në zyrat e tyre merrnin para në dorë nga aplikuesit.
Si pasojë, i janë shmangur detyrimeve tatimore.
“Pas shqiptimit të gjithëmbarshëm të shkresave të lëndës…, si dhe listës së të dëmtuarve.., dëshmitarëve, ekziston dyshim i arsyeshëm se të pandehurit kanë vepruar si grup i organizuar kriminal me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror dhe mashtrim të personave të interesuar për punësim në Gjermani”, shkruan në vendimin e prokurorit për zgjerim hetimesh.
“Po ashtu duke mos i kryer obligimet tatimore ndaj shtetit të Kosovës, për transaksionet financiare të bëra në mënyrë fiktive, i janë shmangur dhe tatimit ndaj shtetit të Kosovës”.
Njoftimet në media për punësim
Fillimisht kompania e Zekës dhe Krasniqit ka dërguar disa persona në gjermani. Madje ka publikuar listën e tyre në portalin “Pa Rrotlla” dhe në portalin “Bota Press”.
Me anë të pagesave për avokatë, janë punësuar disa persona në firmën e Fixherije Krasniqit në Gjermani.
Ky fakt është përdorur si karrem për të interesuarit tjerë.
“A. B. i ka treguar Insajderit se së bashku me gjashtë shokë të tij nga Gjakova kanë paguar nga një mijë e 50 euro në firmën e Milaim Zekës.
“Kur kemi shkuar në zyrë në Pejton, diku 60 persona kemi qenë duke pritur në rend për të aplikuar dhe kryer pagesat”, i ka thënë ai Insajderit.
Ai ka thënë se fillimisht për aplikim kanë paguar nga 50 euro dhe më vonë nga 1. 000 euro tjera.
Kontratat e nënshkruara me Fixherije Krasniqin, A. B. thotë se nuk u janë dhënë aplikuesve me arsyetimin se nuk po punonte printeri. Por, ata kanë arritur t’i fotografojnë me telefon dhe t’i ruajnë si dëshmi.
U ishte premtuar se do të ftoheshin për marrje të vizave dhe do të paguhej shuma tjetër. Totali ishte 3500 euro. Por, A. B. kurrë nuk ka marrë telefonatë për t’u pajisur me vizë.
Refuzimi për t’i kthyer paratë
Përkundrazi, pronarët kanë refuzuar shumë herë t’u përgjigjen telefonatave të tij.
Ndërkohë disa prej viktimave të Zekës dhe Krasniqit kanë shkuar në Polici dhe e kanë denoncuar rastin. Por, Zeka fillimisht nuk është prekur fare. Bile, së bashku me një hetues kanë drejtuar hetimet kundër partnerit të tij.
Ilir Krasniqi, kishte biseduar shumë herë me Zekën me telefon duke i kërkuar që mos ta ngarkonte vetëm atë me lidhjet që ka me Polici. Insajderi posedon biseda të tyre.
Krasniqi është arrestuar dhe paraburgosur një muaj më herët. Ai u ka thënë hetuesve se gjithçka ka bërë me Milaim Zekën.
Krasniqi ka thënë se gjysmën e parave i ka marrë Milaim Zeka. Ka treguar edhe për marrëveshjen me Zekën që emri i tij të hiqet nga “agjencia e punësimit”.
“Unë se bashku me Milaim Zekën më datën 2 qershor 2016 e kemi hapur këtë agjenci. Jemi marrë vesh me të që të mos figurojë emri i tij për shkak se është figurë publike dhe se kjo firmë të shkruhet vetëm në emrin tim”, ka thënë Krasniqi para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ai ka thënë se nuk e ka ditur se veprimet e tij janë të ndaluara me ligj derisa e kishte thirrur Policia. Aso kohe ndodhej në Gjermani. Kishte ardhur dhe ishte paraqitur në Polici. Më vonë i ishin vënë prangat.
Ai ka mohuar se ka mashtruar ndonjë person. Ka thënë se 27 aplikantë janë pajisur me viza.
“Nuk e kam mashtruar askënd. Mbi 27 aplikantë kanë marrë viza pune në Gjermani. Përmbi 70 veta kanë aplikuar në Ambasadë dhe betohem para gjykate se deri më 30 shtator 2017 të gjithë atyre që dëshirojnë me i tërheq paratë do tua jap”, është zotuar ai.
Tashmë është vonë për një gjë të tillë, pasi hetimi është shtrirë pos kundër Milaim Zekës edhe kundër bashkëshortes së tij, Fixherijes.
Familja e Ilir Krasniqit dhe avokati i tij, nuk kanë pranuar të flasin për rastin me arsyetimin se është nën hetime.
Milaim Zeka i ka thënë Insajderit se ai e ka iniciuar rastin në Polici. Ka thënë se nuk ka lidhje me këtë punë dhe është shprehur siç ka thënë ai i lumtur që ka nisur hetimi.
“Kurrë me Ilir Krasniqin nuk kam punua përpos që Ilir Krasniqi ka qenë me qira tek zyrat e mija dhe fillimisht e kemi pas hapur një biznes së bashku për kthim të dokumenteve por biznesi ka qenë inekzistent d.m.th. asnjë veprim nuk është bërë në emër të biznesit”, ka thënë Zeka.
Zeka ka thënë se dy muaj pas themelimit të biznesit e ka dërguar kërkesën për shuarjen e tij, por se sipas tij, Ilir Krasniqi nuk ka pranuar ta nënshkruaj pjesën e partneritetit.
“Veprimet Iliri nuk i ka bë në emër të biznesit. Veprimet iliri i ka bë në emër të vetin dhe të bashkëshortes së tij Fixhërije Krasniqi”, ka thënë ai.
“Unë jam tërhjek nga ky biznes por nuk kemi pasur kurrfarë aksioni, kurrfarë veprimtarie kurrfarë konto dhe kurrfarë numri fiskal. Puna për të cilën akuzohet është punë absolut që nuk ka lidhje me mu përveç që Iliri kur ka mashtruar njerëzit ju ka thanë unë e kam biznesin bashkë me Milaim Zekën për shkak të abuzimit dhe shfrytëzimit tim”, ka deklaruar Zeka.
Zeka e ka quajtur Krasniqin mashtrues dhe njeri tepër të ndyrë, ani se vetë e kishte prezantuar vetë në emisionin e tij si biznesmen të suksesshëm.
“Nuk dua me rëndu njeriun. Flitet diku që në total që iu ka kthyer pjesës dërmuese. Në total kanë qenë 400 persona. E diku sa më thanë vëllezërit e Ilirit, janë mbet diku me ja u kthyer edhe 100 personave paret”, ka shtuar ai, duke insistuar se kjo është historia e vërtetë.