Nën heshtjen e varreve të dëshmorëve dhe bekimin e të gjallëve të vdekur, në Koshare u përkujtua 9 prilli i vitit 1999, dita e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar.
Në 19 vjetorin e thyerjes së kufirit në Koshare, u thye përfundimisht LDK-ja nën bekimin e pseudo-veteranëve dhe gjeneralëve të (turpëruar) graduar nga pushtetarët aktualë!
Për dallim nga herat e kaluara, kësaj radhe përvjetori i Betejës së Kosharës u shënua pak më ndryshe se herave tjera. Skenari dhe organizimi nën patronatin e pushtetarëve të “krahut të luftës” dhe pa prezencën e “institucionalistëve”, preku thellë ndjenjat e familjarëve të dëshmorëve.
Fjalimet e liderëve shtetërorë me patriotizën folklorik plot hipokrizi dhe shfrytëzimi i kësaj ngjarje historike për deklarata politike për konsum të brendshëm politik, s’ishin gjë tjetër, veqse një lloj maskarade mashtruese e radhës për qytetarët pas faljes së 8230 hektarëve tokë Malit të Zi.
Madje presidenti Thaçi ka dhënë deklaratë bombastike në Koshare, duke thënë se “kërcënimeve të Serbisë, Kosova do t’u përgjigjet me pushkë, siç ka bërë para dy dekadave”. Kjo deklaratë e Thaçit, sa e papergjegjshme, është po aq e papjekur politikisht. Përveqse nuk paraqet asnjë lloj kërcënimi për Serbinë, e ndihmon atë në ushtrimin e invazionit politik ndaj Kosovës.
Kjo deklaratë e pambulesë dhe plot hipokrizi e presidentit Thaçi, për qëllim ka shpërqendrimin e vëmendjes së opinionit kosovarë në prag të themelimit të Asociacionit të komunave serbe në veri me kompetenca të zgjeruara, e cila në fakt e shpërfaqë keq institucionin e presidentit të shtetit pa ushtri, i cili më tepër gjason në një kryetarë të shoqatës së gjuetarëve se sa të një presidenti të një shteti sovran dhe të pavarur.
Sikurse Hashim Thaçi, fjalët që i tha në Koshare për Serbinë, t’ia thoshte Vuçiqit në bisedimet e Brukselit, vërtetë do t’i bënte qytetarët e vendit të ndjeheshin krenarë me presidentin e tyre.
Mirëpo, “trimëria” e Thaçit nuk shkoli largë, përfundoi në ahengun e parapërcaktuar në agjendën e tij tek “XENI IMPERIAL” në Gjakovë, duke ngrënë mish viçi dhe pirë verë të kuqe me eskortën e zgjeruar qeveritare.
Megjithatë, e menjëhershme ishte përgjigja e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq drejtuar Thaçit; “Serbinë nuk e mposhtën armët, por aeroplanët”.
Mjerimi dhe rënja e LDK-së
Mirëpo përtej kësaj, u shpërfaq mjerimi dhe rënja e LDK-së, përkatësisht lidershipit të saj para atyre që deri dje e injoruan Betejën e Kosharës, betejën më të lavdishme të luftës çlirimtare, bashk me këtë edhe dëshmoret e saj.
Skenaristëve të kësaj maskarade mashtruese dhe aktorëve të këtij SHOW spektakli është dashur t’u ndalohet pjesëmarrja në këtë manifestim, e assesi t’u lejohet të llomotitin si gramafona të prishur dhe të derdhin lot krokodili për të rënët e kësaj beteje të lavdishme!
Ngase kjo përbën ofendimin më të rënd para varreve të dëshmorëve të lirisë, të cilin ata nuk mund ta ndëshkojnë, sikurse që nuk munden t’i ndëshkojnë bashkëluftëtarët e tyre, të nënshtruar përpara pushtetarëve të korruptuar për interesa personale dhe privilegje pushtetore.
Kjo nuk ishte hera e parë dhe as që do të jete e fundit që Hashim Thaçi bënë SHOW me LDK-në e katandisur nga vlerat rugoviane. Nga manifestimi i fundit në Koshare u befasova nga numri i madh i injorantëve, të cilët nuk arriten ta kuptojnë lojen e dyfisht dhe mashtrimet e Hashim Thaçit, saqë e kanë të vështirë të ndajnë gënjeshtrat nga realiteti i hidhur!
Është pak më tepër se mjerim për LDK-në, t’ua marrin në dorë primatin e organizimit të kësaj ngjarje të lavdishme, ata që vetëm për së vdekuri mundën t’u dalin përballë trimave që thyen kufirin shqiptaro-shqiptarë, gjaku i të cilëve u bë dritë për lirinë e Kosovës.
I harruan për 19 vjet, tentuan t’i mashtrojnë për një ditë të vetme
Paturpërisht, krerët e shtetit shkuan në Koshare kinse për të shprehur respektin për të rënët në Betejën e Kosharës, por që medjen e kishin diku tjetër, e kishin të mishi që po piqej enkas për ta në Gjakovë, të rakia, vera e kuqe e rrushit të Rahovecit apo birrat e Pejës gjysëm të ngrira në tavolinat e restorantit super luksoz “XENI IMPERIAL”, me pronarë këngëtarin Shkelzen Jetishi.
Duhet qenë tepër gjakftohtë, pa ndjenja njerëzore dhe i pa shpirtë, që pas përkujtimit të një plage kombëtare të përfundosh një aheng me mish, raki e dajre në një restorant super luksoz.
Kjo përveq imoralitetit, e dëshmon se këta kusarë politikë nuk e kanë as një fije respketi për të vdekurit dhe akoma më pak për të gjallët, për nënat, baballarët, vllëzërit dhe motrat, gratë e veja dhe fëmijët jetim të dëshmorëve të Betejës së Kosharës.
Nuk paten dje respekt, nuk kanë sot dhe nuk do të kenë as nesër! Këta kusarë të pangopshëm politikë, sikur të kishin pasur vetëm pak ndërgjegje dhe respekt për dëshmorët e Betejës së Kosharës, së paku një herë për këto 19 vjet do duhej të kishin vizituar familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të kësaj beteje të lavdishme të luftës çlirimtare.
Ahengu i shpëlarjes së parave të pista
Pas SHOW-Spektaklit kinse në përkujtim të Betejës së Kosharës: presidenti, kryeministri, ministra, zëvendësministra, deputetetë, zyrtarë të institucioneve e të partive politike të Kosovës, u bënë bashk në drekë, në restorantin “XENI IMPERIAL” në Gjakovë.
Pronari i restorantit, përveq mishit të pjekur dhe pijeve alkoholike, gjatë tërë kohës u përkujdes për “mysafirët” që t’i argëtojë me këndim “LIVE pa pagesë”!
Si zakonisht, koston e drekës në restorantin e Xenit do ta paguajnë qytetarët e vendit, ndërsa për çmimin e drekës duhet pyetur pronarin e restorantit Shkelzen Jetishin, i njohur si “XENI”, i panjohur deri më tani nga qytetarët si shpëlarës i parave të pista të pushtetarëve!
Kjo, në fakt ishte “njohje” me hipokrizi e Betejës së Kosharës nga pushtetarët e “krahut të luftës”.
Vlenë për të theksuar se pushtetarët, skenarin e shfaqjes së 9 prillit e përgatiten në Prishtinë, të cilin e realizuan në dy akte; akti i parë në Koshare, ndërsa akti i dytë në Gjakovë, në restorantin super luksos “XENI IMPERIAL” të Shkelzen Jetishit.
Edhe pse kjo ishte një ngjarje përkujtimore e jo mortore, këtë shkrim do e përfundoj në një thënje të Prof. Zekeria Canës, pak ditë para largimit nga kjo botë, po citoj; “Në dhimbje të vjen miku, në gëzime të njohurit, kurse në vdekjen tënde edhe armiqt. I vetmi ofendim, të cilin nuk mund ta ndëshkosh është fjalimi para varrit tënd”!
Në rastin konkret, në 9 prillin e vitit 2018, dëshmorët e Kosharë përjetuan ofendimin më të rëndë pas shkuarjes në amshim nga fjalimet plot hipokrizi të liderëve shtetërorë, vulën e së cilë hipokrizi e dhanë në ahegun e dalldisur në restorantin “XENI IMPERIAL” në Gjakovë.
Që kjo të mos përseritet më, u mbetët familjarëve të dëshmorëve që të jenë të kujdesshëm në parandalimin e maskaradave të tilla, në të kundërtën do të bien përseri pre e mashtrimeve dhe abuzimeve të figurave politike, këtyre shkelësve të gjakut të dëshmorëve dhe rrënuesve në thëmel të shtetit të Kosovës.