Në këtë dokument sanksionohet se bashkësia e komunave serbe do të ketë përgjegjësinë për disa fusha, siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural, si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi. Më poshtë vijon teksti i plotë dokumentit: Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë Parimet e përgjithshme/elementet kryesore 25 gusht 2015
Korniza ligjore
1) Asociacioni/Bashkësia komunave me shumicë serbe në Kosovë është themeluar si një Asociacion/Bashkësia i komunave me shumicë serbe, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, Ligji e ratifikimit të Marrëveshjes së Parë dhe ligjin e Kosovës.
2) Në bazë të Marrëveshjes së Parë që njeh karakterin e saj të veçantë, Qeveria e Kosovës do të miratojë një dekret drejtpërdrejt të zbatueshëm, që do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Bashkësia/Asociacioni do të jetë entitet legal i përcaktuar me Statutin e saj, i cili do të përbëhet nga të paktën elementet e përcaktuara më poshtë.
3) Statuti do të miratohet nga një asamble konstituive që përbëhet dhe votohet nga anëtarët e asambleve të komunave pjesëmarrëse.
Objektivat
4) Në përputhje me Marrëveshjen e Parë, Asociacioni/Bashkësia do të ketë objektivat e saj kryesore në ofrimin e funksioneve dhe shërbimeve publike për:
a) forcimin e demokracisë lokale
b) të ushtrojë mbikëqyrje të plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale
c) të ushtrojë mbikëqyrje të plotë në edukim
d) të ushtrojë mbikëqyrje të plotë në kujdesin primar dhe sekondar shëndetësor e social
e) të ushtrojë mbikëqyrje të plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural
g) të miratojë masa për përmirësimin kushteve të jetës për të kthyerit në Kosovë
h) të zbatojë, koordinojë dhe lehtësojë aktivitetet hulumtuese dhe zhvilluese
i) të promovojë, të përhap dhe avokojë çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të saj dhe t’i shfaq ato, përfshirë edhe tek autoritetet qendrore;
j) të ofrojë shërbime për anëtarët e saj, në pajtim me ligjet e Kosovës;
k) të vlerësojë ofrimin e shërbimeve publike të anëtarëve të saj dhe banorëve të tyre, si dhe për të mbështetur Bashkësinë/Asociacionin në formimin e qëndrimeve të interesimit të përbashkët për pjesëmarrje në punën e autoriteteve qendrore;
l) kryen monitorimin siç kërkohet për implementimin e objektivave të saj;
m) të krijojë raporte dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare;
5) Bashkësia/Asociacioni do të ushtrojë kompetenca të tjera shtesë që mund të delegohen nga autoritetet qendrore.
Struktura organizative
6) Asociacioni/Bashkësia do të ketë organet e mëposhtme:
a) një Asamble si organi më i lartë i përbërë nga përfaqësuesit e përcaktuar nga çdo asamble e komunave pjesëmarrëse, në mesin e anëtarëve të tyre të zgjedhur. Kuvendi do të ketë të drejtë të miratojë ndryshimet në amendamentet e Statutit, rregullat e procedurës dhe të gjitha regulativat dhe vendimet administrative si për Statutin dhe objektivat e saj. Të gjitha amendamentet në Statut, rregullat e procedurës dhe të gjitha regullativat dhe vendimet e miratuara nga Asambleja do të jenë të zbatueshme për anëtarët e saj, përveç nëse një prej anëtarëve të saj shpreh formalisht një vendim të ndryshëm.
b) një President i cili do të përfaqësojë Bashkësinë/Asociacionin, para autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës. Presidenti do të ndihmohet nga një Zv/President. Presidenti dhe Zv/Presidenti do të zgjidhet nga Asambleja nga radhët e anëtarëve të asambleve të komunave pjesëmarrëse dhe kryetarët e tyre.
c) Këshillin e përbërë nga maksimumi 30 anëtarë në mesin e banorëve të komunave pjesëmarrëse, duke përfshirë të gjithë kryetarët e komunave pjesëmarrëse; Këshilli është një organ këshillues i cili ofron udhëzime për punën e Asociacionit/Bashkësisë.
d) Bordi përbëhet nga 7 anëtarë të votuar nga Asambleja nga radhët e kryetarëve të komunave dhe banorëve të komunave pjesëmarrëse; përbërja e saktë përcaktohet në Statut, me të drejtë për të marrë vendimet e nevojshme për menaxhimin ditor të Bashkësisë/ Asociacionit. Anëtarët e Bordit do të mbështeten në punë nga Kolegjiumet Profesionale të përbërë nga ekspertë, që mbulojnë zonat që bien nën objektiva dhe detyrat e Asociacionit/Bashkësisë. Statuti do të përcaktojë numrin e Kolegjiumeve Profesionale dhe detyrat e tyre tek anëtarët e Bordit.
e) një Administratë e kryesuar nga Shefi i Administratës i caktuar nga Bordi dhe që i raporton Bordit, që mbështet punën e Bashkësisë/Asociacionit, në veçanti Bordin dhe Presidentin. Stafi i administratës do të përfitojë nga statusi i punësimit, në përputhje me ligjin e Kosovës, përfshirë edhe Ligjit të Punës dhe Ligjit për Shërbimin Civil, duke bërë të mundur që ata të kryejnë detyrat e tyre administrative. Anëtarët e Asociacionit/ Bashkësisë mund të vendosin për të përdorur një numër të të punësuarve për të mbështetur Bashkësinë/Asociacionin në zbatimin e objektivave të saj.
f) një Zyrë Ankese me mandatin për të trajtuar ankesat në lidhje me objektivat.
7) Selia e Bashkësisë/Asociacionit do të përcaktohet në Statut. Raportet me autoritetet qendrore
8) Asociacioni/Bashkësia do të punojë me autoritetet qendrore në bazë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndarjes së informatave
9) Asociacioni/Bashkësia do të promovojë interesat e komunitetit serb të Kosovës në raport me autoritetet qendrore.
10) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë të propozojë, në përputhje me ligjin e Kosovës, amendamente në legjislacion dhe rregullativa të tjera relevante për kryerjen e objektivave të saj.
11) Asociacioni/Bashkësia do të kenë të drejtë të iniciojë apo marrë pjesë në procedurat para gjykatave kompetente, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, kundër çdo akti apo vendimi nga çdo institucion që ndikon në ushtrimin nga ana e Asociacionit/Bashkësisë të kompetencave të saj, në përputhje me Statutin e saj.
12) Asociacioni/Bashkësia do të kenë të drejtë të propozojnë përfaqësues në organet kompetente/trupat e pushtetit qendror, duke përfshirë Këshillin Konsultativ të Komuniteteve. Duke ndjekur monitorimin e paraparë me Marrëveshjen e Parë, përfaqësuesi i Asociacionit/Bashkësisë do të ketë drejtë të ketë qasje në informata nga autoriteteve qendrore, në përputhje me ligjin e Kosovës.
13) Duke vepruar në emër të Asociacionit/ Bashkësisë, katër kryetarët e tyre në komunat e veriut do t’i sigurojnë Ministrisë së Brendshme listën e kandidatëve për nominim të Komandantit rajonal të Policisë, siç specifikohet me Nenin 9 të Marrëveshjes së Parë.
Kapaciteti ligjor
14) Asociacioni/Bashkësisë do të jetë i pajisur me kapacitetet juridike të nevojshme sipas ligjeve të Kosovës, për të kryer objektivat e saj, përfshirë të drejtën për të poseduar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të ketë bashkëpronësi të kompanive që ofrojnë shërbime lokale në kuadër të Asociacionit/ Bashkësisë për të lidhur kontrata, përfshirë edhe kontratat e punës.
15) Në bazë të Marrëveshjes së Parë, Asociacioni/ Bashkësia konsiderohet i instaluar, me miratimin e dekretit, për qëllimet e objektivave të saj. Buxheti dhe mbështetja
16) Asociacioni/Bashkësia do të ketë buxhetin e vet, i cili do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe dispozitat e ligjit për prokurimin publik. Këto parime do të zbatohen në veçanti për kanalizimin e fondeve, përfshirë edhe nën 17.d Shpenzimet do t’i nënshtrohen auditimit nga ana e Autoriteteve kompetente, përfshirë edhe nga Auditori i Përgjithshëm.
17) Asociacioni/Bashkësia do të financohet nga:
a) kontributet nga anëtarët e saj;
b) të ardhurat dhe mjetet nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni/Bashkësia, kompanitë e saj ose të nxjerra nga asetet e saj luajtshme a të paluajtshme;
c) transferet nga autoritetet qendrore;
d) kontributet, grantet, donacionet si dhe mbështetja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera, vendore e ndërkombëtare, si dhe nga Republika e Serbisë; Bashkësia/ Asociacioni do të përjashtohet nga obligimet dhe taksat në realizimin e objektivave të saj, mbi të njëjtën bazë si komunat pjesëmarrëse. Dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare
18) Asociacioni/Bashkësia do të jetë i hapur për çdo komunë tjetër me kusht që anëtarët të jenë në marrëveshje.
19) Asociacioni/Bashkësia mund të shpërbëhet vetëm me vendim të Asamblesë së saj të miratuar nga shumica prej 2/3 e anëtarëve.
20) Asociacioni/Bashkësia do të ketë të drejtë në simbolet e veta zyrtare (stemës dhe flamurit) në përputhje me ligjin e Kosovës.
21) Statuti i Asociacionit/Bashkësisë do të hartohet nga Ekipi Menaxhues dhe do t’i paraqitet nivelit të lartë të Dialogut brenda katër muajve nga data e marrëveshjes së këtyre parimeve/elementeve, me lehtësim nëse është e nevojshme, përfshirë edhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Statuti do të miratohet me një dekret në bazë të marrëveshjes në Dialog. Çdo ndryshim do të prezantohet nga Asociacioni/Bashkësia, do të miratohet me dekret dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Ekip Menaxhues – Sërish jashtë institucioneve shtetërore të Kosovës.
22) Brenda një viti të adoptimit të Statutit të Asociacionit/Bashkësia, një rishikim i implementimit të saj duhet të kryhet, përfshirë atë në lidhje me Nenin 5 të Marrëveshjes së Parë. (Në numrin e nesërm: Të gjithë argumentet pse marrëveshja e 25 gushtit është kundër Kushtetutës dhe kuadrit ligjor)
Analogjia me Bosnje-Hercegovinën
26 prill 1991 – Serbët në Bosnje- Hercegovinë shpallin “Bashkësinë e komunave të krahinës së Bosnjes”, e përbërë nga 14 komuna me shumicë serbe në Bosnje Hercegovinë, dhe e drejtuar nga një këshill me përfaqësues nga secila komunë. Kjo bashkësi nuk e njeh Bosnjen si shtet të pavarur, ashtu si “Lista Srpska” në Kosovë nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.
shtator 1991 – Shpallen njëra pas tjetrës rajonet autonome serbe në Bosnje Hercegovinë.
24 tetor 1991 – Themelohet “Asambleja e Popullit Serb të Bosnje Hercegovinës”, që sot e ka selinë në Banja Llukë (qytetin më të madh me shumicë serbe në Bosnje). Pritet që selia e Asociacionit/Bashkësisë me shumicë serbe në Kosovë të jetë në Mitrovicën e veriut.
9-10 nëntor 1991 – “Asambleja e Popullit Serb të Bosnje Hercegovinës” mban referendum të veçantë në komunat me shumicë serbe për t’u pavarësuar nga Bosnja Hercegovina. 92% e pjësëmarrësve votuan pro pavarësisë.
9 janar 1992 – Përfaqësuesit serbë braktisin zyrtarisht parlamentin e Bosnje Hercegovinës dhe shpallin pavarësinë nga Bosnje Hercegovina.
28 shkurt 1992 – “Asambleja e Popullit Serb të Bosnje Hercegovnës” miraton kushtetutën e Republikës Serbe të Bosnje Hercegovinës – e njohur sot si “Republika Srpska”.
14 dhjetor 1995 – Përmes Marrëveshjes në Dayton, “Republika Srpska” njihet edhe ndërkombtarisht. Pas 25 viteve “Republika Srpska” është forcuar si entitet shtetror më shume se Bosnje Hercegovina, e cila është kthyer në një shtet jofunksional. Ndërkohë “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë” po njihet ndërkombëtarisht ende pa u themeluar.
19 prill 2013 – Hashim Thaçi nënshkruan në Bruksel marrëveshjen e Parë të Parimeve Qeverisëse të Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me kryeministrin Ivica Daçiç, ish-zëdhënësin e qeverisë së Slobodan Milosheviçit, dhe Ministrin e Jashtëm aktual të Serbisë. Kjo marrëveshje i hap rrugën negociatave për themelimin e “Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
25 gusht 2015 – Isa Mustafa nënshkruan në Bruksel marrëveshjen për Parimet e përgjithshme/elementet kryesore të “Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë” me ish-ministrin për Informim në qeverinë e Slobodan Millosheviçit dhe kryeministrin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Serbia vazhdon të mos e njoh Kosovën, dhe “Lista Srpska” në Kosovë që kontrollon komunat që do të jenë pjesë e këtij asociacioni/bashkësie është krejtësisht nën kontrollin e Beogradid dhe gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës.