VOAL – Ajo është një gjermano lindore. Ndoshta e vetmja udhëheqëse e Europës së sotme që e njeh mirë botën e ish vendeve komuniste. Ndoshta pikërisht për këtë, që prej dy vjetësh ajo po bëhet protektorja e Ballkanit perëndimor pranë homologëve të saj europianë. Ndoshta pikërisht për këtë ajo po ndërmer një turne këto ditë në këtë periferi të kontinentit.
Vetëm perspektiva e pranimit në BE mund të sjellë zgjidhjen e konflikteve mes vendeve të rajonit” tha Merkel në vigjilje të udhëtimit të saj dyditor për në Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë në një mesazh të shkurtër në video.
Ndërsa për Shqipërinë ku do të jetë nesër për katë orë ajo theksoi: “Shqipëria ka ende shumë për të bërë, por gjithsesi vendi ka statusin e vendit kandidat për BE. Në përgjithësi mund të thuhet se kemi bërë progres, por ka akoma shumë, shumë probleme të mëdha”.
Në fakt angazhimi i Angela Merkel për Ballkanin nuk daton sot. Eshtë i famshëm fjalimi i saj mbajtur në takimin e Partisë Kristian-demokrate, për zgjedhjet parlamentare evropiane, ku ajo iu referua takimit që pati me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Angela Merkel duke folur për luftërat në Ballkan në vitet 90-ta, tha se tashmë vendet e këtij rajoni i kanë tejkaluar kohërat e vështira. “Para 25 vjetësh kur ra muri, dikush mendoi se ne nuk kemi nevojë të flasim më për paqen dhe lirinë në Evropë. Pastaj përjetuam në vitet 90-ta, luftërat e tmerrshme në Ballkan. Këtë javë ishte në takim me mua, kryeministri i ri i Shqipërisë. Ai më tregoi për një takim të gjithë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor tek BERZH, në Londër, ku ata për herë të parë, mund të qëndronin me njëri-tjetrin si kryeministra. Me gjithë diferencat e shumta që nga Kosova, Serbia, Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia, çdo gjë është e drejtë. Ai më tha se, për herë të parë, mund të bisedonim me njëri-tjetrin për të ardhmen tonë, dhe nuk mendonim në mënyrë armiqësore për njëri-tjetrin”, ka përfunduar kancelarja Merkel.
Merkel tashmë ka marrë de facto kryesimin e politikave për vendet Ballkanike. Ashtu sic po mundohet të bëje në fakt për të gjithë Evropën, për vendet në krizë dhe për Greqinë. Përmes saj lidershipi gjerman po forcohet dhe kjo nuk ka qenë një sfidë e lehtë për Anxhelën.
“Nëna e kombit”
Kancelarja Angela Merkel ka kultivuar imazhin e nje lideri të kujdesshëm, pragmatik dhe me këmbë në tokë, duke fituar kështu pseudonimin “Mutti” – nëna e kombit. Udhëheqësja konservatore është në mandatin e saj të tretë drejtues, pas fitores në zgjedhjet e fundit të 2013-ës. Vetëm dy liderë gjermanë post-luftë kishin arritur të fitonin një mandat të tretë para saj – Konrad Adenauer dhe Helmut Kohl. Revista Forbes, e rendit 61 vjeçaren Merkel, si personin e dytë më të pushtetshëm në botë dhe ky është pozicioni më i lartë i arritur ndonjëherë nga një grua. Ajo është drejtuese e Partisë Kristian Demokrate, (CDU), e cila qeveris me simotrën e saj bavareze CSU. Mandatin e saj të parë e fitoi në vinitn 2005, pas një rezultati të ngushtë, i cili e detyroi të bënte një koalicion jo dhe aq të lehtë me social demokratët e qendrës së majtë (SPD).
Pavarësisht një farë rezistence brenda partisë së saj, vitet e fundit, ajo pranoi disa masa që anonin majtas, si për shembull vendosja e pagës minimale për disa sektorë dhe braktisja e planeve për fuqizim bërthamor, lëvizje këto që mendohet se kontribuan për ta lënë në opozitë qendrën e majtë që prej vitit 2009. Por është kriza në eurozonë, testi i vërtetë i kancelares që nuk resht së kujtuari europianëve se kriza është larg të qenit e kapërcyer.
Duke tërhequr fijet
Ajo është shndërruar në simbolin e shtrëngimit fiskal, duke imponuar shkurtime buxhetesh dhe mbikqyrje të ashpër nga BE si zgjidhje për borxhet kronike të Europës jugore. Mesazhi i saj është se vende thellësisht të zhytur në borxhe si Greqia, Republika e Irlandës, Italia, Spanja dhe Portugalia, do të arrijnë të bëhen konkurruese globalisht vetëm duke vendosur rregull në buxhetet e tyre dhe duke kursyer paratë që ato shpenzojnë në shërbimet e tyre publike. Gjermania – ekonomia më e fuqishme në Europë – është financuesja më e madhe për shpëtimin e eurozonës dhe sigurisht që ka qenë Merkel, deri në një farë mase, ajo që ka udhëhequr axhendën e përpjekjeve të BE-së për të rivendosur besimin tek Euro.
Por roli i saj në vendosjen e kushteve shtrënguese për të shpëtuar vendet e periferisë së eurozonës të prekura më së shumti nga kriza, ka nxitur një valë armiqësie kundrejt saj në ato vende. Protestuesit në vende si Greqia dhe Spanja e kanë krahasuar atë me Hitlerin, duke u rebeluar ndaj idesë se Gjermania mund të jetë sërisht duke i imponuar axhendën e saj pjesës tjetër të Europës. Nga ana tjetër, qëndrueshmëria ekonomike e Gjermanisë, niveli i ulët i papunësisë dhe suksesi i eksporteve të shëndetshme, e ka forcuar shumë popullaritetin e saj në Gjermani, ku ajo shihet gjerësisht si një dorë e sigurtë për kohë të vështira. Ajo shihet më shumë si pragmatike se sa si karizmatike. Më herët në karrierën e saj politike, shumëkush e etiketonte te mërzitshme, provinciale dhe démodé – një imazh që ajo u përpoq ta shkundte larg vetes përmes veshjeve me ngjyra të ndezura dhe një prerje të re flokësh.
Tensione në Eurozonë
Kritikët thonë se ngurrimi i saj për një plan shpëtimi, në momentin e përshkallëzimit të krizës në vitin 2010 e dobësoi ndjeshëm besueshmërinë e eurozonës. Investitorët shmangën borxhin sovran të Greqisë, Portugalisë dhe ekonomive të tjera të prekura të eurozonës, duke i çuar kostot e tyre të huamarrjes në nivele të papërballueshme. Shumë politikanë europianë besuan se insitimi i saj në masat shtrënguese po e shtynin Europën edhe më thellë në reçesion. Atëherë, zonja Merkel vendosi se shtrëngimi fiskal ishte vetëm një pjesë e zgjidhjes dhe se situata kërkonte reforma më themelore në BE. Ajo nxiti krijimin e unionit bankar europian dhe një transferim të pushtetit mbikqyrës në Bankën Qendrore Europiane dhe Komisionin Europian. Kjo lëvizje cënoi jo pak aleancën tradicionale të Gjermanisë me Francën, si motorri shtytës i BE-së. Presidenti socialist francez, Francois Hollande, ka tashmë një marrëdhënie të tensionuar me zonjën Merkel.
Në shtëpi, pavarësisht trumfeve të saj politike, Merkel u mbijetoi dhe disa disfatave të dhimbshme. Në janar të vitit 2013, partia e saj (CDU) humbi ngushtë zgjedhjet në shtetin e Saksonisë së poshtme. Kjo humbje e kthehu dhomën e lartë të parlamentit në favor të opozitës, gjë që do të thotë se ajo tashmë është në gjendje të bllokojë legjislacionin nga qeveria dhe të inciojë ligje vetë. Në mandatin e saj të dytë, ajo humbi gjithashtu kontrollin e disa shteteve kyç si Baden-Ëuerttemberg (tradicionalisht bastione të CDU-së) dhe Rhine-Ëestphalia.
Si një grua protestante e Gjermanisë Lindore, Zonja Merkel, ndryshoi traditën e dominimit mashkullor në drejtimin e CDU-së. Gjithashtu, ndonëse udhëheqëse e “partisë së familjes”, ajo ka qenë më parë e divorcuar (pavarësisht se vazhdon të mbajë mbiemrin e bashkëshortit të parë) dhe nuk ka fëmijë. Analistët thonë se ajo intimidoi shumë në parti përmes rolit dhe vendosmërisë së saj për të nxjerrë “jashtë”një gjigand të partisë, ish kancelarin Helmut Kohl. Kur ai u pa i përfshirë në një skandal fondesh, ajo ishte e para mes ish aleatëve të Kohl-it, që u deklarua kundër njeriut që e kishte sjellë atë në kabinet, duke shkruar një artikull në faqe te parë të një gazetë të rëndësishme ku kërkonte dorëheqjen e tij. Kjo i siguroi asaj një pozicion të favorshëm kur partia ndjeu se kishte nevojë për një fillim të ri.
Datat
· 1954: Lindur në Hamburg
· 1978: Mbron doktoraturën në fizikë
· 1990: Bëhet pjesë e CDU
· 1994: Bëhet ministre e mjedisit
· 2000: Behet lidere e CDU
· 2005: Kancelare e Gjermanisë
· 2009: Rizgjidhet kancelare
· 2013: Fiton mandatin e tretë si kancelare
· 2017: ?
Biografia
E lindur në Hamburg, Angela Merkel ishte vetëm, pak muajshe kur babai i saj, një pastor luterian, mori në administrim një kishë në një qytezë të vogël të Gjermanisë Lindore.
Ajo u rrit në një zonë rurale të Berlinit të lindjes komuniste dhe tregoi talent për matematikën, shkencat dhe gjuhët e huaja. Ajo kreu doktoraturën në fizikë, por më pas punoi si kimiste në një akademi shkencore në Berlinin lindor. Ajo nuk kishte qenë ndonjëherë e përfshirë në politikë kur, në moshën 36 vjeçare, u bë pjesë e lëvizjes demokratike të vitit 1989 dhe pas rrëzimit të murit të Berlinit, ajo filloi të punonte si zëdhënëse e qeverisë menjëherë pas zgjedhjeve të para demokratike. Ajo iu bashkua CDU-së dy muaj përpara ribashkimit të Gjermanisë dhe brenda tre muajsh u bë pjesë e kabinetit qeveritar të Kohl-it si ministre e rinisë dhe gruas. Gradualisht, Merkel përforcoi pozitat e saj brenda partisë derisa, në vitin 2000, u zgjodh në krye të partisë dhe më pas kancelarja e parë femër e Gjermanisë, në vitin 2005. Ajo është e martuar me një professor kimie nga Berlini, Joachim Sauer. Çifti nuk ka fëmijë./Bota