VOAL

VOAL

Mediat: terroristi Salah Abdeslam është parë në Bruksel me tjetër identitet

BRUKSEL – Terroristi Salah Abdeslam, i shpallur në kërkim që prej 13 nëntorit, pas kryerjes së sulmeve terroriste në kryeqytetin francez, mendohet se është parë mbrëmjen e djeshme në Anderlecht, 5 kilometra larg Brukselit, me një pamje dhe identitet të ndryshuar.

Mediat kanë publikuar një fotografi të terroristit, me syze dhe kapele, për të siguruar ndihmën e qytetarëve, në rast se ndeshen me të.

Sipas gazetës spanjolle “El Mundo”, terroristi Salah Abdeslam po lëviz me identitetin Yassine Baghli. Ndërkohë sipas “Daily Mail”, xhihadisti po tenton të fshihet edhe nga ISIS, që kërkon ta vrasë sepse ai nuk e ka përmbushur siç duhet misionin e tij në Paris.

Ndërkohë në Bruksel, policia dhe shërbimet sekrete janë mobilizuar dhe po vijojnë punën për të kapur të shumëkërkuarin Salah Abdeslam.

Franca projektrezolutë në KS të OKB-së për luftën kundër ISIS-it

Pas sulmeve terroriste në Paris, Franca e cila i rriti operacionet e saj ndaj objektivave të ISIS-it në Siri, gjithashtu që të fitojë mbështetje diplomatike nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së përgatiti projekt rezolutë

OKB – Franca ka paraqitur projekt rezolutën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në të cilën kërkon që të rritet dhe intensifikohet lufta kundër ISIS-it dhe të veprohet në koordinim.

Pas sulmeve terroriste në Paris, Franca e cila i rriti operacionet e saj ndaj objektivave të ISIS-it në Siri, gjithashtu që të fitojë mbështetje diplomatike nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së përgatiti projekt rezolutë.

Në versionin përfundimtar të projekt rezolutës të cilën e paraqiti në Këshill, theksohet se janë dënuar me një gjuhë të saktë sulmet terroriste të ISIS-it në Tunizi, Ankara, Bejrut dhe Paris dhe aksionin për rrëzimin e avionit rus të pasagjerëve.

Në projekt rezolutën të cilën është paraqitur shprehen ngushëllime ndaj të gjithë qeverive dhe popujve të cilët janë dëmtuar nga terrori i ISIS-it, veçanërisht Tunizisë, Turqisë, Rusisë, Libanit dhe Francës. Gjithashtu kërkohet që shtetet anëtare të cilat kanë mundësi dhe kapacitet ti dyfishojnë përpjekjet e tyre dhe të veprojnë në koordinim në luftën kundër ISIS-in në Siri dhe Irak. aa

Francë, rriten sulmet dhe kërcënimet ndaj myslimanëve

Që nga 13 nëntori e këtej, duke përfshirë edhe aktet kundër femrave të mbuluara me shami në qytetet Marseille dhe Toulouse janë kryer 24 kërcënime dhe sulme

PARIS – Njoftohet se pas sulmeve terroriste në Paris, ndaj muslimanëve në Francë janë kryer 24 kërcënime dhe sulme të ndryshme.

Në një deklaratë me shkrim nga Observatorit Kombëtar Kundër Islamofobisë i Francës (CFCM), theksohet se që nga 13 nëntori e këtej, duke përfshirë edhe aktet kundër femrave të mbuluara me shami në qytetet Marseille dhe Toulouse janë kryer 24 kërcënime dhe sulme.

Në deklaratë ndër të tjera theksohet se informacionet në lidhje me sulmet bazohen në të dhënat e Ministrisë së Brendshme dhe në ankimet e bëra në polici.

Ndër të tjera theksohet se ankesat janë kryer për 6 sulmet të ndërmarra ndaj xhamive dhe ndërhyrje fizike ndaj personave, si dhe 18 kërcënime të kryera duke dërguar letër me përmbajtje urrejtjeje dhe duke kryer veprime ofenduese.

Në deklaratë janë përmendur edhe mendimet e kryetarit të CFCM, Abdallah Zekri, i cili ka pohuar se: “Falë Zotit ne nuk jemi në situatën në janar, ku pas sulmeve ndaj  ‘Charlie Hebdo’ brenda 5 ditëve u kryen njëkohësisht 50 sulme”. aa

Konfirmohet vrasja e organizatorit të sulmeve të Parisit

Personi i dyshuar si organizatori i sulmeve terroriste të Parisit është vrarë. Hetuesit francezë konfirmuan se Abdelhamid Abaahoud u vra gjatë një sulmi masiv dje në rrethinat e Parisit. Ndërkohë, ligjvënësit francezë votuan sot për të zgjatur gjendjen e emergjencës për tre muaj në përgjigje të sulmeve të së premtes.

Prokurorët francezë kanë konfirmuar se organizatori i dyshuar për sulmet e javës së kaluar në Paris ishte mes të vrarëve në operacionin e policisë të mërkurën.

Zyra e prokurorit të Parisit tha se trupi i Abdelhamid Abaaoud – shtetas belg me origjinë marokene – u gjet brenda apartamentit të sulmuar në përleshjet shtatë orëshe të policisë në Saint-Denis, në periferi të Parisit. Abaaoud, u identifikua nga shenjat e gishtrinjëve.

Të paktën tetë vetë u arrestuan gjatë sulmit. Një grua që u identifikua si kushërirë e Abaaudit, hodhi veten në erë. Tre policë u plagosën dhe u vra një qen i policisë.

Ndërkohë, ligjvënësit francezë votuan sot për të zgjatur gjendjen e emergjencës për tre muaj në përgjigje të sulmeve të së premtes.

Asambleja Kombëtare Franceze e miratoi vendimin, dhe senati pritet të votojë të premten.’

Para votimit, kryeministri  Manuel Valls foli para ligjvënësve dhe paralajmëroi për rreziqet me të cilat përballet vendi, përfshi mundësinë e kërcënimit të armëve kimike dhe biologjike.

“Kreativiteti makabër i organizatorëve të tyre është i pafund. Armë luftarake, prerje kokash, bomba njerëzore, të gjitha këto. Dhe sot nuk mund të përjashtojmë asgjë; ekziston një rrezik të mundshëm për armë kimike apo bakteriologjike.”

Presidenti François Hollande tha të mërkurën se zgjatja përfshin një nen që i mundëson autoritetet të mbyllin “çdo grumbullim” që përfshin xhamitë dhe grupet e komunitetit ku njerëzit “glorifikojnë terrorizmin” ose inkurajojnë kryerjen e akteve terroriste. Projektligji është kritikuar nga aktivistët e të drejtave.

Policia franceze tha sot se përsa kohë që është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme, oficerët jo në detyrë lejohen të mbajnë armët e tyre për të mbrojtur civilët.

Kreu i agjencisë së koordinimit policor të Bashkimit Europian, Rob Wainwright, gjithashtu theksoi se sulmet në Paris shënojnë “një përshkallëzim shumë serioz” të terrorizmit në Evropë dhe janë një “deklaratë të qartë” e qëllimit të grupit të Shtetit Islamik për të sjellë markën e tij brutale të terrorit në kontinent.

Autoritetet belge nisën sulmet e tyre të enjten në disa pjesë të Brukselit në lidhje me Bilal Hadfin, i cili hodhi veten në erë jashtë stadiumit në Paris.

Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel gjithashtu njoftoi një paketë prej 427 milion dollarësh të masave të reja të sigurisë, duke përfshirë edhe planet për të burgosur militantët që kthehen nga Siria, duke ndaluar predikuesit e urrejtjes dhe mbylljen e vendeve të paregjistruara të besimit.

Michel kundërshtoi kritikat për shërbimet e sigurisë të vendit të tij, pasi Presidenti Hollande tha se sulmet e Parisit ishin planifikuar në Belgjikë.

“Unë nuk e pranoj kritikët që kërkojnë të denigrojnë shërbimet tona të sigurisë, të cilët bëjnë një punë të vështirë dhe të rëndë,” tha ai në një fjalim në parlament.

Jemi në luftë – Nga Dominique Moisi

​Që nga sulmet terroriste në janar ndaj revistës satirike ‘Charlie Hebdo’ dhe një supermarketi, parisienët e dinin se barbarizmin e kishin pranë dhe se do të godiste sërish. Por është ndryshe të dish diçka, ta parashikosh atë dhe tjetër gjë të përballesh me realitetin e zymtë.

Qartësia e analizës është tani më e nevojshme se kurrë. Ne mezi e njohim armikun tonë, përveç intensitetit të urrejtjes së tij dhe thellësisë së mizorisë së tij. Për të kuptuar strategjinë e tij, duhet ta njohim atë për atë që është: një kundërshtar inteligjent – dhe sipas mënyrë së tij racional. Për një kohë të gjatë, ne e kemi shpërfillur dhe nënvlerësuar atë. Është urgjente që tani ta ndryshojmë mënyrën tonë.

Në këto javët e fundit, strategjia e terrorit të Shtetit Islamik ka sjellë vdekje në rrugët e Ankarasë, Beirutit dhe Parisit dhe në qiellin e Sinait. Identiteti i viktimave nuk lë dyshim për mesazhin. “Kurdë, rusë, shiitë të Libanit, francezë: ju na sulmoni, ne ju vrasim”.

Planifikimi i sulmeve është po aq i rëndësishëm sa kombësia e shënjestrës. Sa më shumë që mundet në terren Shteti Islamik dhe sa më tepër territor të humbasë në Siri dhe Irak, aq më shumë nxitet ta manifestojë luftën për të penguar ndërhyrjen e mëtejshme. Sulmet e sinkronizuara në Paris, për shembull, koinciduan me humbjen e qytetit Sinjar nga Shteti Islamik në Irak.

Sigurisht, qeliza terroriste që goditi Parisin nuk është krijuar tani në humbjet e fundit të betejave të Shtetit Islamik. Ka qenë gati në vend, duke pritur që të aktivizohej (ashtu siç mund të jenë të tjerë në pritje). Kjo tregon freksibilitetin taktik të Shtetit Islamik, pa përmendur mundësinë e njerëzve që janë gati të kryejnë vetëvrasje.

Nëse Shteti Islamik zgjodhi këtë herë, që në Paris të shënjestrojë njerëz që nuk ishin satirikë, policë apo hebrenj, është pikërisht “zakonshmëria” e tyre ajo që i la të pambrojtur. Këtë herë, sulmuesit zgjodhën “sasinë” në vend të “cilësisë” (më falni për një formulim kaq të ashpër). Qëllimi ishte të vriteshin sa më shumë që të ishte e mundur.

Kjo strategji është e mundur sepse territori i kontrolluar nga Shteti Islamik ofron një terren strehues dhe të përshtatshëm për stërvitje. Territoret e kalifatit të vetëshpallur përfaqësojnë grupin që përfaqësonte Al Kaeda për Afganistanin e kontrolluar nga talebanët në vitet 1990.

Është thelbësore të rifitohet kontrolli në këtë terren. Dhe shkatërrimi i “provincës” së Shtetit Islamik në Libi, Sinait, dhe kudo tjetër duhet të bëhet prioriteti numër një i komunitetit ndërkombëtar.

Përtej qartësisë analitike, ekziston edhe një nevojë për unitet, duke filluar në Francë, ku qytetarët nuk do të pranonin që anëtarët e klasës politike të vepronin të ndarë në një pikë të tillë kthese historike.

Uniteti duhet të arrihet edhe brenda Europës. Neve na thuhet vazhdimisht se Europa është në mes të një krize identiteti, në nevojë për një projekt të ri. Edhe tani Europa e ka gjetur një. Të jesh europian do të thotë të përballesh së bashku me barbarizmin, të mbrosh vlerat, mënyrën e jetesës dhe mënyrën e bashkëjetesës pavarësisht diferencave.

Uniteti është gjithashtu i nevojshëm në botën perëndimore si një e tërë. Deklarata e presidentit Barak Obama pas sulmeve në Paris tregon se çfarë e bashkon Europën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është më e rëndësishme sesa çfarë na ndan. Ne jemi në të njëjtën varkë, përballë të njëjtit armik. Në këtë kuptim uniteti duhet të shkojë përtej botës europiane dhe perëndimore, sepse Shteti Islamik kërcënon vende si Irani dhe Rusia, pa përmendur Turqinë, po aq – edhe më shumë – sesa perëndimin.

Sigurisht, ne duhet të jemi realistë. Aleanca jonë rrethanore me këto vende nuk do të tejkalojë të gjitha problemet mes nesh dhe atyre. Ndaj, përtej qartësisë dhe unitetit, na duhet vendosmëri, si në përballjen me kërcënimin e ISIS dhe në mbrojtjen e vlerave tona, veçanërisht sundimin e ligjit.

Shteti Islamik pret nga ne një kombinim të frikës dhe reagimit të tepruar. Ambicia e tij është të provokojë një përplasje civilizimi midis botës perëndimore dhe myslimane. Ne nuk duhet të biem pre e kësaj strategjie.

Por qartësia vjen e para. Kur Parisi u sulmua si të premten e shkuar, flitet për luftë. Askush nuk do të përsërisë gabimet e SHBA-së nën presidentin Bush; por t’i përdorësh ato gabime si një alibi për të shmangur përballjen me botën tani do të ishte po njëlloj gabim. Përgjigjja e Europës duhet të jetë e fortë, por nuk duhet të devijojë nga sundimi i ligjit. Ne jemi, mbi të gjitha, të përfshirë në një betejë politike me Shtetin Islamik, një betejë ku dashuria për jetën duhet të dominojë mbi dashurinë e tyre për vdekjen.

Daily Mail: Sulmi i xhihadistit mbi restorantin në Paris, ja si shpëtuan për mrekulli shënjestrat (video)

Publikohen pamjet e tmerrshme të sulmit në një restorant të Parisit nga terroristi me armë automatike AK-47.

Imazhet tregojnë egërsinë e pamëshirshme të vrasësit të Shtetit Islamik, kundrejt trimërisë së jashtëzakonshme dhe instiktit të mbijetesës, që treguan personat të cilët mund të ishin kthyer në viktima nga sulmi i befasishëm.

Gjithçka duket si një film aksion, por janë pamje mëse reale të cilat tregojnë momentet e tmerrshme të sulmit të xhihadistit, pranë një restoranti në Paris.

Në video duket qartë se si një grua i shpëton breshërisë së plumbave të xhihadistit, teksa ai mbante armën mbi kokën e saj, po që fati e deshi që arma të mos shkrepej mbi të. Ajo është personi më me fat që i shpëtoi masakrës nga e cila humbën jetën 129 persona, ndërsa 300 të tjerë mbetën të plagosur, 99 prej tyrte në gjendje kritike.

Videoja është publikuar nga “Daily Mail” i cili dyshon se xhihadisti që hapi zjarr është 26 vjeçari belg, Salah Abdeslam. Ai shenjohet me një rreth të kuq në video dhe qëndron për disa sekonda me armën e drejtuar mbi gruan që ndodhet jashtë lokalit, e cila ngrihet pak pasi terroristi largohet prej saj duke shtrirë me vrap.

Ende nuk dihet fati i “organizatorit” të sulmeve në Paris

Ekspertët francezë janë duke punuar për të përcaktuar nëse organizatori i dyshuar i sulmeve në Paris është në mesin e të vrarëve gjatë bastisjes së policisë në një ndërtesë banimi.

Policia ka thënë se Abdelhamid Abaaoud ka qenë cak i operacionit që është zhvilluar të mërkurën në lagjen Saint Denis të Parisit.

Prkurori i Parisit, Francois Molins, ka thënë se ai nuk është në mesin e tetë personave të arrestuar në banesë, porse mbetjet mortore, të gjetura atje, nuk janë identifikuar ende.

Gjatë operacionit policor, një i dyshuar është vrarë dhe një grua ka hedhur veten në erë.

Sot, ligjvënësit francezë pritet të votojnë për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.

Grupi militant Shteti Islamik, i cili kontrollon pjesë të Sirisë dhe Irakut, ka thënë se ka kryer sulmet e 13 nëntorit në Paris, në të cilat kanë vdekur 129 persona dhe janë plagosur qindra të tjerë.

Kanë qenë këto sulmet më vdekjeprurëse në Evropë që nga bombardimet në Madrid, në vitin 2004.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se bastisja në Saint Denis ka vërtetuar se Franca është në “luftë kundër terrorizmit”.

Hollande do të udhëtojë në Uashington dhe Moskë javën e ardhshme, për të diskutuar zgjerimin e luftës.

Dy të vrarë gjatë kërkimeve për organizatorin e sulmeve në Paris

Të shtëna dhe shpërthime janë dëgjuar të mërkurën në Paris, derisa policia ndërmorri një operacion kërkimesh për një militant të Shtetit Islamik, që dyshohet të jetë organizatori i sulmeve të së premtes në kryeqytetin francez.

Autoritetet thanë se po kërkojnë Abdelhamid Abaaoud, nje shtetas belg me prejardhje nga Maroku dhe se disa persona ishin fshehur në një apartament në Saint-Denis.

Të paktën dy të dyshuar janë vrarë në operacionin disaorësh, përfshirë edhe një grua që hodhi veten në erë. Policia arrestoi tre veta, ndërsa të paktën dy pjesëtarë të policisë janë plagosur.

Autoritetet po kërkojnë edhe të dyshuar të tjerë të lidhur me sulmet e 13 nëntorit që lanë pas vetes 129 të vrarë dhe mbi 300 të plagosur.

Tre zyrtarë që folën të martën në kushte anonimiteti meqë nuk janë të autorizuar që të japin hollësi mbi hetimet, thanë se një analizë e sulmeve të së premtes tregon se një person i përfshirë drejtpërdrejt në sulme, është në arrati.

Zyrtarët thanë se i ikuri nuk është identifikuar.  Autoritetet franceze dhe ato belge lëshuan një urdhër arresti për një person tjetër, Salah Abdeslam, vëllai i të cilit ishte në mesin e sulmuesve.

Shtatë sulmues u vranë atë natë, tre përreth satdiumit kombëtar, tre brenda sallën së koncerteve Bataclan dhe një gjatë sulmit në një restorant.

Cazeneuve: Shumica e sulmuesve nuk njihen nga shërbimet inteligjente

Ministri i Brendshëm francez Bernard Cazeneuve në lidhje me sulmet terroriste në Paris njoftoi se mbrëmjen e djeshme janë kryer kontrolle në 128 lokacione

PARIS – Ministri i Brendshëm francez Bernard Cazeneuve në lidhje me sulmet terroriste në Paris njoftoi se mbrëmjen e djeshme janë kryer kontrolle në 128 lokacione.

Cazeneuve, gjatë një fjalimi në radion “France Info” tha se shumica e autorëve të sulmit më 13 nëntor nuk njihen nga shërbimet inteligjente. Ai bëri të ditur se mbrëmjen e kaluar në kuadër të gjendjes së jashtëzakonshme janë kryer kontrolle në 128 adresa të përcaktuara që kanë lidhje me terrorizmin.

Ministri Cazeneuve, ka theksuar ndër të tjera se forcat e sigurisë kanë kaluar në veprim në të gjitha qytetet dhe rajonet periferike.

Cazeneuve tha se nuk kanë hezitime në lidhje me propozimin e amendamentit kushtetues i cili përfshin zgjatjen e kohës së gjendjes së jashtëzakonshme nga Presidenti François Hollande.

“I vërej komentet të cilat përfshijnë hezitimet në lidhje me reformën e kushtetutës të qeverisë. Teksa mbrojmë popullin nuk do të hidhen hapa në kundërshtim me parimet e kushtetutës”, deklaroi ministri i Brendshëm francez.

Në sulmin terrorist më 13 nëntor në Paris jetën e humbën 129 persona, ndërsa 352 të tjerë u plagosën. Në këto sulme mbetën të vrarë edhe 7 terroristë të cilët ndërmorën sulmet në shtatë lokacione të ndryshme. Përgjegjësinë për këto sulme e mori përsipër organizata terroriste DAESH.

Franca në luftë – momentet kur Hollande e parlamenti këndojnë “Marsejezën” (video)

Presidenti francez, Francois Hollande ka mbajtur një fjalë në parlament duke kërkuar mbështetjen e tyre për luftën me terrorizmin dhe miratimin e ligjit për të qenë në gjendje emergjence për 3 muajt e ardhshëm.

Pas fjalimit Hollande ka ftuar të gjithë të pranishmit të këndojnë himnin francez, ose siç njihet “Marsejeza”.

Hahn: Mos e ngatërroni terrorizmin me refugjatët

BRUKSEL – Komisioneri për zgjerim në Bashkimin Evropian (BE), Johannes Hahn sot në Bruksel deklaroi se Evropa nuk guxon ta ngatërrojë terrorizmin me krizën e refugjatëve me të cilën po përballet kontinenti.

Nuk guxojmë të ngatërrojmë sulmet terroriste me emigrimin aktual dhe problemin me refugjatët – këto janë dy çështje të ndryshme, theksoi Hahn para një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së.

Hahn gjithashtu tha se Evropa “duhet të jetë e patundur dhe e guximshme”, kur të përballet me kërcënimet terroriste në “mënyrën evropiane të jetesës”.

Ky reagim i Komisionerit Evropian vjen pas sulmeve të fundit terroriste në Paris. Sulmet e fundit kanë ngritur spekulimet për refugjatët dhe lidhjet e tyre me terrorizmin sidomos pasi zyrtarët francezë thanë se një nga sulmuesit u transferua në Evropë nëpërmjet valës së refugjatëve nga Lindja e Afërt.

Në unitetin e Evropës bëri thirrje edhe Presidenti i BE-së Jean-Claude Juncker.

“Ata që organizojnë sulme të tilla dhe ata që i kryejnë ato janë ata nga të cilat refugjatët ikin”, tha Juncker gjatë Samitit të G20-ës në Turqi, duke shtuar se “nuk ka nevojë për një rishikim të politikës evropiane ndaj refugjatëve”. aa

Britania e rrit numrin e të punësuarve në sektorin e zbulimit

Pas shtimit të numrit të sulmeve terroriste dhe rritjes së terrorizmit, Britania e Madhe ka vendosur që në sektorin e inteligjencës të punësojë 1 905 punonjës të rinj

LONDËR – Pas shtimit të numrit të sulmeve terroriste dhe rritjen e terrorizmit, Britania e Madhe ka vendosur që në sektorin e inteligjencës të punësojë 1.905 punonjës të rinj, bëri të ditur qeveria britanike.

Qeveria synon të dyfishojë buxhetin e tanishëm prej 14 milionë dollarësh i paraparë për sigurinë e trafikut ajror.

“Siguria ekonomike dhe kombëtare shkon dorë më dorë. Që nga viti 2010, ne kemi sjellë vendime të vështira në mënyrë për të rivendosur fuqinë ekonomike dhe tani ne jemi në mesin e vendeve të zhvilluara, ekonomia e të cilit është në rritje më të shpejtë. Kjo do të thotë se jemi në gjendje për të investuar më shumë në sigurinë kombëtare. Ajo do të jetë lufta e brezit tonë ndaj atyre që ne dhe vlerat tona po përpiqen ti shkatërrojnë. Për këtë luftë ne kemi nevojë për më shumë kuadër”, deklaroi kryeministri britanik David Cameron.

Në agjencinë britanike të inteligjencës MI5, agjencinë e inteligjencës së jashtme MI6 dhe në agjencinë e inteligjencës së qeverisë britanike (GCHQ) aktualisht janë të punësuar 12.700 persona, ndërsa ky numër do të rritet me 15 përqind, gjegjësisht për 1.905 persona.

Qeveria britanike e konsideron të nevojshme rritjen e masave të sigurisë pas sulmeve të shpeshta të organizatës terroriste ISIS, ndër të cilat janë sulmet e fundit terroriste në Paris, ku u vranë 132 vetë dhe u plagosën 349 njerëz si dhe rrëzimi i avionit rus ku humbën jetën të gjithë 217 pasagjerët dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit, për të cilat ekziston mundësia se ISIS-i është përgjegjës.

Britania e Madhe synon të ofrojë asistencë për vendet që janë objekt i terroristëve në përmirësimin e sektorit të sigurisë. aa

Franca e gjithë 1 minutë heshtje për viktimat e Parisit (Foto)

Voal – Franca “ndalon”, 1 minutë heshtje për viktimat e Parisit E gjithë Franca është ndalur për një minutë mesditën e kësaj të hëne, në nderim të 129 viktimave të sulmeve terroriste të së premtes mbrëma në Paris.

Presidenti Francois Hollande, i shoqëruar nga kryeministri Valls dhe zyrtarë të tjerë kanë mbajtur një minutë heshtje në Sorbonë dhe më pas ka kënduar himnin së bashku me kongresin e mbledhur në Versajë.

Ndërkohë, këtë mëngjes në Francë u hapën të gjitha shkollat, të cilat u pasuan nga hapja e muzeve, teatrove dhe objekteve të tjera kulturore, rreth orës 13:00.

 

 

16-11-2015 14-47-52

16-11-2015 14-45-5316-11-2015 14-46-27

Bruksel – Alarmi për bombë në afërsi të institucioneve evropiane

VOAL – BRUKSEL, 16 NËNTOR – Alarmin për bombë në afërsi të institucioneve evropiane e dha televizioni publik belg RTBF, sipas të cilit atje ndodhej një automjet i dyshimtë i parkuar pranë pallatitit të institucioneve evropiane, shkruan Voice Of Albanians – voal.ch.

Sipas agjencisë Belga, automjeti në fjalë është gjetur në rue des Deux Églises, në lagjen ku ndodhen institucionet evropiane, por larg pallateve të institucioneve kryesore. Zjarrfikësit kanë shkuar menjëherë në vend dhe kanë instaluar një perimetër sigurie, bën të ditur policia. Personi që ka krijuar dyshimin ka thënë se automjeti kishte targë franceze. ansa

Kapet në Belgjikë një prej autorëve të sulmeve në Paris

VOAL – BRUKSEL, 16 NËNTOR – I arrestuari gjatë operacionit në vazhdim në lagjen Molenbeek, në kryeqytetin belg, nuk është Salah Abdeslam, i kërkuari për masakrat e Parisit, shkruan Voice Of Albanians – voal.ch. Lajmi i dhënë nga mediat belge, të cilat theksonin se nuk kishin për momentin elemente të mjaftueshme për ta konfirmuar, është i pasaktë.

I arrestuari në Molenbeek nuk është Salah Abdeslam: saktëson gjykata e Brukselit. ansa

 

 

Mbi 150 bastisje kundër islamistëve në Francë

Kryeministri i Francës, Manuel Valls

Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka thënë se policia ka kryer më shumë se 150 bastisje kundër islamistëve të dyshuar në mbarë vendin.

Burimet policore thonë se kontrollet kanë çuar në disa arrestime dhe në konfiskimin e një arsenali armësh.

Kërkimet, ndërkaq, vazhdojnë për anëtarët e mbijetuar të grupit islamist, i cili ka vrarë së paku 132 persona të premten në Paris.

Shtatë sulmues të Parisit kanë vdekur, shumica e tyre pasi kanë shpërthyer rripat vetëvrasës.

Valls ka thënë se sulmet në Paris janë planifikuar dhe organizuar nga Siria.

Identifikohen edhe dy sulmues të Parisit

Paris, 16 nëntor 2015

Zyra e Prokurorit të Parisit ka bërë të ditur se edhe dy sulmues të tjerë vetëvrasës, të përfshirë në sulmet vdekjeprurëse në Paris, janë identifikuar.

Prokurorët kanë thënë se një sulmues vetëvrasës që ka hedhur veten në erë në sallën e koncerteve Bataclan, është Samy Amimour, 28 vjeç.

Ai ka qenë shtetas francez, i përfshirë në një hetim për terrorizëm, në vitin 2012.

Ai ka qenë nën mbikëqyrje gjyqësore dhe ka qenë subjekt i një urdhërarresti ndërkombëtar.

Ndërkaq, një sulmues vetëvrasës që ka hedhur veten në erë jashtë stadiumit kombëtar të futbollit, është gjetur me një pasaportë siriane, me emrin Ahmad Al Mohammad.

Ai ka qenë 25 vjeç dhe i lindur në Idlib.

Paris: Ideator i atentateve është kryexhihadisti i Verviers

Abdelhamid Abaaoud kishte shkuar në Siri në janar të këtij viti

VOAL – PARIS, 16 NËNTOR – Prapa atentateve të Parisit është belgu Abdelhamid Abaaoud, truri i celulës së xhihadistëve të neutralizuar nga forcat speciale të policisë belge në Verviers në janar të këtij viti, shkruan Voice Of Albanians – voal.ch.

Lajmin e japin burime zyrtare franceze. Abaaoud duhet të jetë edhe prapa atentateve në trenin Thalys. Ai kishte shkuar në Siri në janarin e këtij viti. ansa

Ironia e fatit në Bataclan – pas këngës ‘Save a Prayer’ spektatorët kërkuan ‘Kiss the Devil’

PARIS – Në një kohë kur kishte vetëm një orë nga nisja e koncertit në teatrin ‘Bataclan’, atmosfera ishte harbuar. Grupi Eagles of Death Metal sapo kishte përfunduar së luajturi këngën “Save a Prayer” –“Ruani një lutje”, spektatorët kërkuan që të këndohej “Kiss The Devil”- “Puth djallin”.

Sipas ‘Dailymail’ këta titujt këngësh sot duken një ironi fati. Zhurma të forta u dëgjuan, krisma armësh, por disa prej të rinjve iu dukën se kjo ishte pjesë e skenografisë së koncertit. Fill pas kësaj, tre persona të armatosur, hynë në derë, ndërsa situata precipitojë me shpejtësi.

Dy anëtarët e grupit u shtrinë përtokë, për t’u mbrojtur nga breshëria e armëve. Ishte pikërisht ora 21:40, kur në sallën e koncerteve, shumë pranë bulevardit ‘Republika’, do të plaste lufta, ndërsa vendi do t’i ngjante ferrit të Dante Aligerit. Sakaq, sulmit të armëve nuk i shpëtuan as personat të ngujuar në karrige me rrota.

Trudeau: Kanadaja deri në janar 2016 do të pranojë 25 mijë refugjatë

Kryeministri kanadez bëri thirrje që me refugjatët të japë mundësinë për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin

ANTALIA – Deri në janar të vitit 2016 Kanadaja do të pranojë 25.000 refugjatë sirianë, deklaroi kryeministri kanadez, Justin Trudeau.

“Politika jonë është të marrim një pjesë të refugjatëve dhe të kontribuojmë në arritjen e suksesit të përbashkët, në tërësi”, tha Trudeau në sesion e B20 dhe L20 e cila u mbajt në kuadër të Samitit të G20-ës në Antalia, Turqi.

Kryeministri kanadez bëri thirrje që me refugjatët të japë mundësinë për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin.

“Ne duam që ata ti llogarisim në suksesin tonë”, shtoi kryeministri i Kanadasë.

Trudeau tha se vendet e G20 duhet të bashkojnë forcat dhe të zgjidhin problemet, duke mbajtur llogari se rritja vlen për të gjithë.

Turqia është nikoqir i Samitit të liderëve të vendeve të G20, ekonomikisht shtetet më të fuqishme në botë, i cili mbahet në rajonin veriperëndimor të Antalias sot dhe nesër. Në samitin e dhjetë të G20 diskutohet për sfidat më të mëdha politike dhe të sigurisë në botë, duke përfshirë krizën në Siri dhe migrimin masiv të refugjatëve.

Hakmarrja franceze – sulm ajror mbi bazën më të madhe të ISIS-it në Siri

Ministria e Mbrojtjes franceze ka konfirmuar se Franca ka sulmuar një nga bazat më të mëdha të ISIS-it në Siri. Kjo ka qenë dhe ‘hakmarrja’ e parë e francezëve ndaj ekstremistëve të ISIS.

Sulmi është kryer në Raqqa, që është një nga bazat më të mëdha të ISIS-it në Siri dhe ai është kryer 48 orë pas masakrës së grupit terrorist në Paris.

Sipas informacioneve nga Ministria e Mbrojtjes franceze, që i transmetojnë mediat ndërkombëtare, me këtë rast është shkatërruar një kamp trajnimi i ISIS-it.

Identifikohet terroristi i tetë

Policia franceze ka botuar foton e njërit prej të dyshuarve të larguar pas sulmeve të së premtes në Paris që shkaktuan të paktën 132 viktima. I dyshuari është identifikuar të jetë Abdeslam Salah, një 26-vjeçar i lindur në Bruksel. Në njoftim bëhet thirrje për çdo lloj informacioni për të dyshuarin e tetë, i cili është larguar dhe konsiderohet i rrezikshëm. Ai mendohet se është një ndër tre vëllezër të përfshirë në sulmet terroriste në Paris. Vëllai i tij, Ibrahim Salah, hodhi veten në erë në sallën e koncerteve Bataclan, ndërsa vëllai i tretë njoftohet të jetë arrestuar nga autoritetet belge.

Prokurori i Parisit njoftoi gjithashtu se janë identifikuar dy të tjerë, nga shtatë sulmuesit e vrarë. Ata janë shtetas francezë që jetonin në Belgjikë. Sot, policia franceze mori në pyetje të afërm të Omar Ismail Mostefait, i cili ishte terroristi i parë që u identifikua.

Ndër gjashtë personat e marrë në pyetje ishin edhe babai, vëllai dhe kunata e tij. Franca është në një periudhë zie tre-ditore, të shpallur pas masakrës që tronditi mbarë botën. Mostefai ishte një ndër shtatë sulmuesit, të cilët kishin veshuar jelekë vetëvrasës të mbushur me eksploziv. Të shtatë u vranë gjatë sulmeve; gjashtë prej tyre hodhën veten në erë, ndërsa i shtati u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Të paktën tre prej tyre ishin shtetas francezë. Prokurori francez Francois Molins tha se Mostefai njihej prej policisë si kriminel ordiner, por “nuk ishte përfshirë më parë në hetime të ndonjë organizate terroriste”. 29-vjeçari Mostefai jetonte në Chavres, pranë Parisit.

Panik në Memorialin e Parisit

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Daniel Schearf, njofton nga Parisi se një turmë e mbledhur Sheshin e Republikës përjetoi momente paniku të dielën në mbrëmje  dhe njerëzit u shpërndanë duke vrapuar. Turma e përbërë prej rreth 2 mijë personash ishin duke bërë homazhe, ndërsa një grup më i vogël këndonte në mënyrë sfiduese. Një klithmë u dëgjua në mesin e turmës, duke u pasuar nga të tjera, dhe sheshi i zbraz në pak sekonda. Sheshi i Republikës është shndërruar në një vend homazhesh, ku njerëzit vijnë për të ndezur qirinj dhe për të gjetur ngushëllim.

Gjenden armë

Policia njoftoi të dielën se tre armë kallashnikovë u gjetën në një makinë të tipit Seat Leon, e cila është përdorur nga sulmuesit që shtinë mbi njerëzit e gjendur në bare dhe restorante. Makina e prodhimit spanjoll u zbulua e parkuar në një rrugë të lagjes periferike Montreuil, kur policia po kërkonte për një person të tetë që mund të ketë ngarë mjetin.

Një makinë e dytë, e tipit Volkswagen Polo, e cila mendohet se është përdorur për sulmin, u gjet pranë sallës së koncerteve Bataclan, ku humbën jetën 89 persona. Autoritetet franceze thonë se pranë trupit të njërit prej sulmuesve u gjet një pasaportë siriane. Greqia informoi se ai pati hyri në Evropë si pjesë e fluksit të emigrantëve që largohen prej luftës civile në Siri. Ministri grek për Mbrojtjen e Qytetarëve, Nikos Toskas, u shpreh se “konfirmojmë që mbajtësi i pasaportës siriane ka hyrë nëpërmjet ishullit grek Leros, më datën 3 tetor, ku edhe u regjistrua në përputhje me rregullat e BE-së.”   Autoritetet e Serbisë dhe Kroacisë konfirmuan se personi ka kaluar në ditët pasuese nëpërmjet pikave të tyre kufitare. Një zyrtar belg njoftoi se janë ndaluar shtatë persona të lidhur me sulmet në Paris dhe se dy nga shtatë autorët e sulmeve ishin shtetas francezë me banim në Belgjikë. Njëri prej tyre jetonte në një lagje të quajtur Molenbeek, e cila njihet si enklavë e ekstremizmit fetar dhe pikë kyçe për luftëtarët që shkojnë drejt Sirisë.

Kryeministri Valls: Identifikohen 103 nga 129 viktimat e sulmeve në Paris

PARIS – Kryeministri francez Manuel Valls tha se ekipet kompetente kanë identifikuar 103 nga gjithsej 129 njerëz të vrarë në sulmin terrorist që ndodhi të premten në mbrëmje në Paris.

Kreu i qeverisë franceze sot vizitoi qendrën “Militaire Ecole”, në të cilën të mbijetuarve të sulmit terrorist u ofroi ndihmë psikologjike. Valls, me këtë rast tha se Franca duhet të jetë unike në këto kohë të vështira.

“Në sulme u vranë 129 persona, nga të cilët deri më tani janë identifikuar 103. Në rrjedhë është procedura për identifikimin e viktimave të mbetura”, tha Valls.

Paralelisht, institucioni kompetent francez do të kontrollojë rrjetet sociale përmes të cilave të afërmit kanë publikuar fotografi dhe informacione të personave me të cilët pas sulmit nuk kanë mundur të vendosin kontakt.

Në Francë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe tri ditë zie pas sulmeve terroriste në Paris që vranë 129 persona, ndërsa 352 të tjerë plagosën. Përgjegjësinë për sulmet që ndodhën në disa lokacione të Parisit e mori përsipër organizata terroriste ISIS.

Francë, arrestohen 6 persona me lidhje me njërin nga terrorisët

Policia franceze ka arrestuar gjashtë persona të cilët kishin lidhje me njërin nga terroristët që mori pjesë në sulmet e së premtes në Paris. Në mesin e të ndaluarve ishin tre të afërm të njërit prej terroristëve.

Policia franceze tha sot se një makinë e përdorur nga persona të armatosur të cilët qëlluan mbi njerëzit në restorante gjatë sulmeve të së premtes u gjet në lagjen Montreuil në Parisin lindor.

Sot Franca është në ditën e dytë të një zie kombëtare, që pasoi  sulmet terroriste në Paris, në të cilat u vranë të paktën 129 persona. Më shumë se 300 të tjerë u plagosën, 99  prej tyre në gjendje kritike.

Njerëzit ngushëlluan njëri-tjetrin në një vigjilje mbrëmë vonë në kryeqytetin francez, ndërsa kujtonin viktimat.

Chloe Guy, banor i Parisit:

“Kemi rastin për të treguar solidaritetin që e kemi patur gjithmonë. Për t’u siguruar se ne nuk e braktisim njëri-tjetrin, nuk paralizohemi nga frika ose paniku dhe nuk veprojmë në mënyrë arbitrare. Ne duhet të tregojmë se  jemi të fortë”.

Prokurori i Parisit, Francois Molins tha se shtatë sulmuesit janë vrarë gjatë sulmeve.

Presidenti francez Francois Hollande tha se sulmet, për të cilat Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë, janë një “akt lufte” kundër vendit të tij, dhe se ekziston rreziku që terroristët të planifikojnë sulme të tjera.

Alain Joyandet, anëtar i Parlamentit francez:

“Nëse ne heqim dorë, kjo do të thotë se ata fitojnë. Kështu që jeta duhet të vazhdojë, Republika duhet të vazhdojë. Ne duhet të sigurohemi që të ketë më shumë dashuri në këtë shoqërinë tonë”.

Një zyrtar francez i kundërterrorizmit tha se autoritetet janë ende duke u përpjekur të kuptojnë nëse sulmuesit që mbetën të vrarë ishin banorë francezë. Ndërkohë, masat e sigurisë janë shtuar për të mbrojtur vendin nga dhuna e mëtejshme.

Dje, policia në Belgjikë arrestoi disa persona gjatë kontrolleve në një lagje të Brukselit.

Zyra e prokurorisë belge tha se një makinë e marrë me qira në Belgjikë është gjetur pranë sallës së koncerteve Bataclan në Paris, ku u vranë 89 njerëz.

Organizimi i sulmeve në Paris – Terroristët komunikuan me chatin e ‘Play Station’

Ministri i Brendshëm belg ka zbuluar se terroristët kanë përdorur chatin e Playstation 4 për të komunikuar mes tyre.
Ata mendohet se kanë zgjedhur këtë kanal komunikimi pasi është shumë i vështirë për t’u përgjuar.

Gjatë konferencës për shtyp, ministri Jan Jambon tha se xhihadistët kanë shkëmbyer mesazhe zanore dhe pamore me anë të chatit të lojës elektronike.“Komunikimi me mesazhe apo WhatsApp mund të përgjohet ndërsa ai në chatin e PS4 është më i vështirë, ndaj kanë zgjedhur atë”, tha Jambon.

Gjithashtu ai shtoi se xhihadistët mund të simulonin skena sulmi apo shpërthime armësh pa krijuar dyshime pasi janë pjesë e lojërave të PS4.

Pasaporta siriane e gjetur tek një kamikaz mund të jetë false

Me shumë mundësi, pasaporta siriane e gjetur pranë njërit prej kamikazëve në stadiumin “Stade de France”, mund të jetë false. Këtë e ka bërë të ditur një burim nga shërbimet sekrete të SHBA-së, cituar nga CBS.

“Dokumenti nuk mban numrat korrent për një pasaportë të rregullt dhe fotoja nuk i përket emrit”, ka thënë burimi i shërbimit sekret për CBS.

Poloni – Shqiptarët cilësohen si terroristë, në protestën kundër refugjatëve

Gjatë një proteste në Poloni kundër refugjatëve sirianë në një nga banerët që protestuesit mbanin në dorë vërehet edhe flamuri shqiptar dhe disa figura terroristësh nën të.

Sipas banerit shqiptarët paraqiten si terroristë ndërsa ata luftohen nga forcat polake në anën tjetër.

Baneri është publikuar në Russia Today, një agjenci lajmesh dhe televizion rus, njofton Klan Kosova.

Përndryshe ministri polak i çështjeve të Europës, Konrad Szymanki, pas ngjarjes tragjike që goditi Francën, ka thënë se qeveria e tij s’do t’i pranojë vendimet që merr Bashkimi Europian për refugjatët.

Szymanski, është ministri i sapoemëruar në qeverinë e Polonisë – si pjesë e qeverisë konservative në krye të vendit – që do të fillojë me mandatin e tij në Ministrinë për Çështje të Europës në Poloni.

Ai është shprehur se kabineti i tij s’është në pajtim me përkushtimin e qeverisë paraardhëse për të marrë pjesë në vendimet e BE-së karshi zgjidhjes së krizës s refugjatëve nga vatrave e luftës.

Tani, “të ndodhur përballë të gjitha ngjarjeve tragjike në Paris, ne nuk e shohim të arsyeshme të jemi pjesë e zgjidhjeve politike”, ka thënë ai, transmeton Klan Kosova.

Polonia i ishte bashkuar grupit të shteteve që e kishin mbështetur planin e Brukselit që t’i ndanin përgjegjësitë mbi fluksin e azilkërkuesve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, njofton Klan Kosova.

Në Paris brenda një ore u kryen gjashtë sulme terroriste

ANKARA – Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, në të cilën merr përgjegjësinë për sulmet në Paris, organizata terroriste ISIS ka pranuar se tetë pjestarë të saj janë përgjegjës për sulmet terroriste në disa lokacione të ndryshme në Paris.

“Disa prej tyre kishin aktivizuar mjete shpërthyese që mbanin në trup, kurse disa kanë kryer sulme me armë zjarri në Paris, në zemër të Francës”, thuhet në deklaratë. Më tej shtohet se sulmet kanë ndodhur në vendet si “Stade de France”, i cili ishte një nga objektivat e sulmeve terroriste, dhe një sallë koncertesh.

Sulmet u kryen pothuajse brenda një ore.

Këtë mëngjes, presidenti francez, Francois Hollande në një fjalim publik fajësoi ISIS-in për sulmet.

Sipas shifrave zyrtare, në sulmet terroriste natën e kaluar u vranë 128 persona, ndërsa 250 të tjerë u plagosën, prej të cilëve rreth njëqind prej tyre janë në rrezik jete.

Sulmet janë kryer në gjashtë lokacione të ndryshme, gjatë së cilës u vranë tetë terroristë. Shtatë terroristë mbanin rripa me pajisje shpërthyese, të cilat i aktivizuan.

Autoritetet franceze kanë shprehur frikën se numri i të vdekurve mund të rritet.

Në Francë nisin protestat anti-islamike

Turmat e protestuesve të krahut të djathtë ekstrem janë përzier me marshimin e solidaritetit në Francë, pas lajmit se të paktën një nga përgjegjësit e sulmeve terroriste në Paris ishte refugjat sirian.

Demonstrata paqësore u mbajt në qendër të Lille, në veri të Francës, por u ndërpre nga ekstremistët e krahut të djathtë të Frontit Kombëtar.

Sulmet në Paris, identifikohet njëri prej terroristëve – Omar Ismail Mostefai

Një nga sulmuesit që vranë 129 njerëz në Paris është identifikuar nha hetuesit francezë. Ai është Omar Ismal Mostefai, një qytetar francez.

Mediat e huaja njoftojnë se 29-vjeçari kishte një të të kaluar kriminale dhe më vonë ishte lidhur me grupet radikale, por nuk njihej si vrasës i dhunshëm.

Hetuesit e kanë zbuluar atë pasi gjurmët e gishtit të tij janë gjetur në ‘Bataklan’.

Sulmet e së premtes, që u morën përsipër nga ISIS, u përqëndruan në një sallë koncertesh, në një stadium të madh, në restorantet dhe baret e kryeqytetit francez.

dlm

Pas sulmeve në Paris, Polonia nuk dëshiron të pranojë refugjatë në vend

BERLIN – Konrad Szymanski, i cili u emërua si ministër i Marrëdhënieve me Europën pas zgjedhjeve të mbajtura në Poloni dhe i cili pritet që të fillojë detyrën e tij javën e ardhshme ka deklaruar se Polonia nuk e shikon të mundshme që të përmbushë premtimin politik të dhënë për shpërndarjen e refugjatëve brenda BE-së.

Konrad Szymasnski, në një artikull të shkurtër të shkruar në faqen e internetit “Wpolityce” ka mbrojtur idenë se sulmet e ndodhura në Paris tregojnë se ka nevojë për një rishikim të thellë në politikën e Europës për krizën e refugjatëve.

Ai ka theksuar se duke pasur parasysh ngjarjet tragjike në Paris, Polonia nga pikëpamja politike nuk e shikon të mundshme përmbushjen e premtieve ndaj BE-së për pranimin e refugjatëve.

Europa urgjentisht duhet të marrë nën kontroll kufijtë e jashtëm të BE-së, ndërsa për çështjen e kërkesave të refugjatëve duke rënë dakord me vendet e treta duhet të marrë në rendin e ditës çështjen se duhet të luftohet në burim kundër krizës, ka shtuar ndër të tjera Szymanski.

Szymanski ka theksuar se Polonia duhet të mbajë nën kontroll çështjen e refugjatëve.

Sulmet në Paris: Disa të arrestuar në Bruksel

Ministri belg i Drejtësisë, Koen Geens, ka thënë se është bërë “një numër arrestimesh” në Bruksel, të cilat lidhen me sulmet në Paris.

Televizioni belg ka raportuar se pesë njerëz janë arrestuar në lagjen Molenbeek.

Policia franceze ka thënë se është në kërkim të një makine të zezë, tipi Seat, me targa të huaja, e cila mund të jetë përdorur në sulme.

Mediat kanë raportuar se njëri nga sulmuesit në sallën e koncerteve Bataclan ka qenë shtetas francez, me histori të përfshirjes në Islamin radikal.

Një tjetër besohet se ka qenë shtetas sirian, pasi një pasaportë e Sirisë është gjetur pranë trupit të një sulmuesi vetëvrasës, që ka hedhur veten në erë pranë stadiumit Stade de France, në veri të Parisit.

Mbajtësi i pasaportës ka qenë i lindur në vitin 1990.

Një ministër grek ka thënë se pasaporta i ka takuar një refugjati sirian, i cili ka kaluar përmes ishullit Leros.

Një pasaportë egjiptiane është gjetur po ashtu pranë trupit të një tjetër sulmuesi vetëvrasës.

Gazeta Le Parisien ka cituar një spektator në stadium të ketë thënë se një nga sulmuesit pranë, ka qenë grua.

Nga sulmet e së premtes mbrëma në Paris kanë humbur jetën 127 persona.

Berlini: Mos i lidhni sulmet në Paris me fluksin e emigrantëve!

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere, ka thënë se sulmet në Paris nuk duhet të lidhen me fluksin rekord të azilkërkuesve në Evropë.

“Do të doja të bëja një lutje urgjente, që të mos tërhiqen lidhje të tilla me situatën përreth refugjatëve”, ka thënë de Maiziere, pas një takimi të kabinetit gjerman.

Rreth 700,000 emigrantë nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika kanë arritur këtë vit në Evropë.

Nga sulmet e së premtes mbrëma në Paris janë vrarë 129 persona.

Përgjegjësinë për sulmet e kanë marrë militantët e Shtetit Islamik.

Raportet e disa mediave thonë se një pasaportë egjiptiane dhe një siriane janë gjetur pranë trupave të dy sulmuesve vetëvrasës.

Londër, evakuohen pasagjerët nga terminali i aeroportit ‘Gatwick’

“Terminali është evakuuar në këto momente. Kjo është bërë për shkak të sigurisë së përgjithshme publike”, tha zëdhënësja e policisë për mediat britanike

LONDËR – Pasagjerët janë evakuuar këtë mëngjes nga terminali i aeroportit “Gatwick” në Londër, si reagim të paralajmërimeve për mundësinë e rrezikimit të sigurisë së tyre.

“Terminali është evakuuar në këto momente. Kjo është bërë për shkak të sigurisë së përgjithshme publike”, tha zëdhënësja e policisë për mediat britanike.

Ajo shtoi se evakuimi është bërë si masë paraprake, për shkak të “gjërave të dyshimta”. Më shumë detaje se çfar në të vërtetë po ndodh nuk dëshiroi të zbulojë.

Tim Uwin, profesor i universitetit në Londër, në profilin e tij në Twitter, kishte shkruar se pasagjerët rreth orës 10 sipas kohës lokale u është thënë për ta lëshuar katin e parë të terminalit verior të ajroportit “Gatwick”.

Në faqen zyrtare të aeroportit thuhet se fluturimet e planifikuara megjithatë, do të realizohen, por me vonesa.

Ajroporti “Gatwick” ndodhet 45 kilometra në jug të Londrës. Britania e Madhe nuk e ka ngritur nivelin e sigurisë pas sulmeve terroriste të premten në mbrëmje në Paris, ku u vrarë 127 njerëz, dhe mbi 250 u plagosën. Policia në Londër ka njoftuar për shtimin e patrullimeve në pjesën qendrore të kryeqytetit britanik gjatë fundjavës. aa

Në mënyrë masive, turistët largohen nga Parisi

PARIS – Pas sulmeve të mbrëmshme terroriste në Paris në të cilat humbën jetën të paktën 128 persona, ndërsa u plagosën më shumë se 250 të tjerë, shumë turistë të cilët gjendeshin në Paris, prej sot në mëngjes shpejtojnë të braktisin këtë qytet.

Veçanarisht turmë e madhe vërehet në aeroportin më të madh të Parisit “Charles De Gaulle”. Për shkak të numrit të madh të personave që mbërrijnë në aeroport, por edhe për shkak të masave të ashpëra të sigurisë, ka edhe vonesa të disa fluturimeve të caktuara.

Në Paris, të cilin çdo vit e vizitojnë disa miliona turistë nga e mbarë bota, prej sot në mëngjes patrullojnë policia dhe ushtria. Është mbyllur edhe njëri nga lokacionet më të vizituara turistike, parku zbavitës Disneyland, lajmërojnë mediat. Shkollat në mbarë Francën sot nuk do të jenë të hapura.

Përgjegjësinë për sulmet në Paris përmes një deklarate sot online e mori organizata terroriste ISIS.

Në Francë është shpallur tre ditē zie, ndërsa presidenti i këtij vendi, Francois Hollande deklaroi se vendi është i gatshëm për përgjigje “të pamëshirshme” ndaj sulmeve dhe kërcënimeve terroriste. aa

Francois Hollande: Sulmet janë kryer nga Shteti Islamik

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se sulmet e së premtes në Paris kanë vrarë 127 persona dhe se janë kryer nga ekstremistët e Shtetit Islamik.

Duke i cilësuar sulmet si “akt të luftës”, Hollande ka thënë se ato janë planifikuar dhe organizuar nga jashtë, me ndihmë brenda Francës.

Pak minuta më vonë, Shteti Islamik ka thënë përmes një deklarate të postuar online se “tetë vëllezër me rripa shpërthyes dhe pushkë sulmuese” kanë kryer sulmet.

Grupi ekstremist ka thënë se ato janë përgjigje për fyerjet ndaj profetit të Islamit dhe për sulmet ajrore në “territorin e Shtetit Islamik”.

Si pasojë e sulmeve të shumëfishta, Franca ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe ka forcuar kufijtë e saj.

Sulmuesit kanë përdorur bomba vetëvrasëse dhe armë, si dhe kanë brohoritur slogane islamiste.

Rreth tetëdhjetë njerëz janë vrarë kur sulmuesit kanë hyrë në sallën e koncerteve Bataclan dhe kanë marrë pengje.

Njerëzit janë qëlluar për vdekje në restorante dhe bare në disa lokacione të tjera në Paris. Sulme të dyfishta vetëvrasëse ka pasur edhe pranë stadiumit kombëtar Stade de France, ku Gjermania dhe Franca kanë qenë duke luajtur ndeshje miqësore.

Në stadium kanë qenë të pranishëm presidenti i Francës, Hollande, ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, të cilët janë evakuuar menjëherë.

Tetë sulmues raportohet se janë vrarë, shtatë nga të cilët kanë hedhur veten në erë. Sipas policisë, nuk është ende e qartë nëse ndonjë bashkëpunëtor i sulmuesve është në arrati.

Këto janë sulmet më vdekjeprurëse në Evropë që nga bombardimet në Madrid, në vitin 2004.

Rreth 1,500 ushtarë francezë janë shpërndarë nëpër Paris, ndërsa banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.

Të gjitha shkollat, bibliotekat, palestrat, pishinat dhe tregjet do të qëndrojnë sot të mbyllura, ashtu si edhe Disneyland. Të gjitha ndeshjet sportive në zonën e prekur të Parisit po ashtu janë anuluar.

Liderët botërorë i kanë dënuar ashpër sulmet.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka përshkruar ato si “sulm ndaj të gjithë njerëzimit dhe vlerave universale që ndajmë”.

 “Ata që mendojnë se mund të terrorizojnë popullin e Francës apo vlerat e tij, gabojnë. Populli amerikan ka marrë forcë nga angazhimi i popullit francez për jetë, liri dhe ndjekje të lumturisë”, ka thënë Obama.

“Do të bëjmë gjithçka që mund të bëjmë për të ndihmuar”, është zotuar kryeministri i Britanisë, David Cameron.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se sulmet nuk mund të përshkruhen me vlera humanitare dhe morale.

“Dua t’i shpreh ngushëllime homologut tim, Hollande, dhe popullit francez për humbjet e tyre. Shpresoj që të plagosurit do të shërohen shpejt”, ka thënë Erdogan.

Vatikani, ndërkaq, i ka përshkruar sulmet si goditje mbi paqen dhe gjithë njerëzimin.

Në muajin janar, ekstremistët islamistë kanë vrarë 18 persona në dhe përreth Parisit.

Përgatiti: Valona Tela

Jens Stoltenberg: Dhuna dhe violenca kurrë nuk do ta fitojnë betejën kundër demokracisë dhe lirisë!

Ka reaguar në rrjetet sociale Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg pas sulmeve terroriste në Paris:

Jeg fordømmer de grufulle terrorangrepene i Paris. Mine tanker går til de etterlatte, alle berørte og det franske folk.

Vold og terror vil aldri vinne kampen mot demokrati og frihet.

I condemn the heinous terrorist attacks in Paris.

My thoughts go out to the survivors, all affected and the French people.

Violence and terror will never win the battle against democracy and freedom.

Unë i dënoj sulmet e urryera terroriste në Paris.

Mendimet e mia shkojnë tek të mbijetuarit, tek të gjithë të prekurit dhe tek i  gjithë popullit francez.

Dhuna dhe violenca kurrë nuk do ta fitojë kundër demokracisë dhe lirisë!

Bota reagon e tronditur: ‘Solidarë krah Francës’

Presidenti amerikan Barack Obama i ka dënuar sulmet e Parisit si një “përpjekje të përbuzshme” për të terrorizuar civilë të pafajshëm. Këto nuk janë vetëm sulme ndaj Parisit dhe popullit francez, por kundër të gjithë njerëzimit, tha Obama në Uashington. Ende është herët për të thënë saktë se kush qëndron pas këtyre sulmeve. Në një fjalim të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë, Obama ofroi ndihmën e vendit të tij “për t’i nxjerrë terroristët para gjyqit”. Franca është aleati më i vjetër i Shteteve të Bashkuara. Populli francez ka qëndruar gjithmonë krah për krah popullit amerikan, tha Obama.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon i dënoi sulmet e Parisit me ton të ashpër. Ai beson se autoritetet franceze do të bëjnë gjithçka është në dorën e tyre për të kapur fjatorët “e këtyre akteve të tmerrshme” e nxjerrë ata para gjyqit, deklaroi Ban në Nju Jork. Ai u shprehu ngushëllimet familjeve të viktimave dhe u shpreh për një shërim të shpejtë të të lënduarve. Ban Ki Moon u shpreh se qëndron në krah të popullit franez në këtë moment.

bota2

Obama dënon sulmet e Parisit

Edhe Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara bëri fjalë për “sulme terroriste barbare dhe frikacake”. Në deklaratën e instancës më të lartë të Kombeve të Bashkuara thuhet se “anëtarët e Këshillit të Sigurimit shprehin ngushëllimin e tyre të thellë për viktimat dhe solidaritetin me qeverinë franceze.” Fajtorët e këtyre akteve duhet të dalin para drejtësisë.

Merkel “thellësisht e tronditur”

Tronditje pas sulmeve në Paris edhe në Berlin: Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se “është thellësisht e tronditur nga lajmet dhe pamjet që vijnë nga Parisi”. Ajo shtoi se “mendimet e mia janë në këto orë tek viktimat e sulmeve të qarta terroriste, tek të afërmit e tyre dhe të gjithë njerëzit në Paris.” Qeveria gjermane po qëndron në kontakt të ngushtë me qeverinë franceze dhe i ka shprehur asaj solidaritetin e njerëzve në Gjermani. Ky nuk është vetëm sulm ndaj Francës, por kundër të gjithëve, ka thënë Merkel, duke theksuar se Gjermania është krah Francës për të mbrojtur vlerat europiane.

Drejtori i kabinetit të kancelares, Peter Altmeier, një nga personat më të besuar të Merkelit, shkroi në twitter: “Ne vajtojmë për viktimat e pafajshme të Parisit. Por nuk do të përkulemi para urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës.” Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier shprehu tronditjen e tij: “Ne qëndrojmë në krah të Francës”, tha ai. Në një reagim të parë shprehu tronditjen e tij edhe presidenti gjerman, Joachim Gauck. “Jam shumë i tronditur duke parë lajmet që vijnë nga Franca”, tha ai duke shtuar se “është me mendimet e tij pranë viktimave, të afërmve të tyre dhe popullit francez.”

bota3

Franca e shokuar!

“Solidarë në krah të francezëve”

Edhe politikanë të tjerë të nivelit të lartë të Bashkimit Europian kanë shprehur solidaritetin me Francën. “Mendimet tona janë tek familjet e viktimave, mbështetja jonë është për autoritetet” shkroi presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz në twitter. Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk shkroi se ai po i ndjek i shokuar raportimet mbi sulmet e Parisit. Ndërsa presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker shkroi se “ne jemi solidarë në këtë moment krah Francës”.

bota4

Merkel shprehet “thellësisht e tronditur”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i siguroi Francës mbështetjen e aleancës ushtarake atlantiko-veriore. NATO qëndron krah Francës në luftë kundër terrorizmit” tha Stoltenberg. “Terrorizmi nuk do të mund të fitojë mbi demokracinë”, shtoi ai.

Edhe Rusia po ashtu shprehet e shokuar pas sulmeve në Paris. “Ne i dënojmë thellësisht këto akte çnjerëzore dhe jemi të gatshëm të ofrojmë çdo lloj ndihme në hetimet për zbardhjen e këtyre krimeve terroriste”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov në Moskë. Ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Sacharova tha se Rusia ndan me Francën dhimbjen në këto momente.

Ne jemi me Francën ! Ne jemi Franca! Nous somme la France !

Nga Elida Buçpapaj

 

Kush është i dashuruar me lirinë

është i dashuruar me Francën !

Kush është i dashuruar me Francën

është i dashuruar me lirinë!

 

I gjithë Njerëzimi është i dashuruar me lirinë,

prandaj është i dashuruar me Francën !

I gjithë Njerëzimi është i dashuruar me barazinë,

prandaj është i dashuruar me Francën !

I gjithë Njerëzimi është i dashuruar me vëllazërinë,

prandaj është i dashuruar me Francën !

Prandaj gjithë Njerëzimi është i vëllazëruar me Francën!

Sepse Njerëzim, Liri, Barazi, Vëllazëri dhe Francë janë Një!

 

Sepse Liria është jeta

dhe anasjelltas.

Sepse barazia është jeta

dje anasjelltas

Sepse vëllazëria është jeta

dhe anasjelltas !

Sepse Franca është jeta

dhe anasjelltas!

 

Prandaj ne jemi me Francën!

Prandaj ne jemi Franca !

Prandaj – Nous somme la France !

 

 

Liria – Poemë nga PAUL ELUARD – e shqipëroi ELIDA BUÇPAPAJ

paul eluardiv

Send this to a friend