VOAL

VOAL

Rohde: Banjska ndryshoi gjithçka, Gjermania do sjellë kontigjent të ri

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, duke thënë se Banjska ndryshoi gjithçka.

Rohde tha se ai vetë as nuk e ka imagjinuar se do të ndodhte diçka e tillë, ndërsa ka kërkuar që autorët të dalin para drejtësisë dhe të ndëshkohen, raporton Express.

“Banjska ndryshoi gjithçka. Ishte një sulm terrorist. Këta nuk ishin qytetarë të pakënaqur, por kishin raketahedhës, automatikë, granata… Jemi ende në kërkim të autorëve të dyshuar që duhet të dalin para drejtësisë. Vetë Milan Radoiçiç tha se është përgjegjës, por ende nuk ka përgjegjësi, nuk mund të pranojmë parimin e mosndëshkimit. Nëse kryen një krim, duhet të gjykohesh. Shpresojmë se Serbia është duke punuar në këtë”, ka deklaruar Rohde në një intervistë për Kosovo Online.

Ambasadori gjerman ka bërë me dije se Gjermania do ta shtojë praninë e saj në Kosovë me një kontigjent nga maji.

“Personalisht, nuk mund ta imagjinoja se do të ndodhte diçka e tillë, dhe për këtë arsye NATO e shtoi praninë e saj dhe Gjermania do të bëjë të njëjtën gjë me një kontingjent të ri nga maji. Ajo që duam është paqe dhe stabilitet. Sulmet si ky janë saktësisht e kundërta e kësaj. Nëse nuk dënohen autorët e sulmit në Banjskë, si mund të rritet besimi mes dy vendeve. Kjo ishte një punë e madhe dhe me të vërtetë autorët duhet të ndëshkohen”, ka deklaruar Rohde.

Deputetja Kearns: Serbia po i qesh në fytyrë BE-së – qasja e Perëndimit ndaj Kosovës, e padrejtë

Në Parlamentin Evropian, të mërkurën është diskutuar mbi parregullsitë në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale në Serbi.

Eurodeputetët patën kritika të ashpra për vendin fqinj, duke kërkuar nga udhëheqësit e shtetit që t’i hetojnë gjetjet e monitoruesve ndërkombëtarë.

Pas votimeve nga Parlamenti Evropian, të enjten, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka marrë një letër të mbështetur nga 24 politikanë të lartë evropianë, duke i kërkuar asaj që të hetojë akuzat për parregullsi në zgjedhjet e fundit në Serbi, shkruan Klankosova.tv.

Në mesin e nënshkruesve të kësaj thirrjeje, siç ka raportuar “Politico”, që BE-ja të nisë një hetim për zgjedhjet në Serbi, ishte edhe Alicia Kearns, një deputete konservatore e Parlamentit Britanik dhe kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Britanik.

Në një bisedë për “Zërin e Amerikës”, shërbimi për Gjeorgjinë në Uashington, deputetja britanike ka thënë se “kolegët që vëzhguan zgjedhjet thanë se nuk kishin parë kurrë abuzime të tilla të tmerrshme të procesit zgjedhor”.

Kearns ishte edhe ndër nënshkrueset e apelit që parlamentarët evropianë dhe amerikanë i dërguan administratave në Uashington dhe Bruksel verën e kaluar, me të cilin kërkohej që të shtrëngojnë politikën ndaj Serbisë dhe ta zbusin atë ndaj Kosovës. Ajo gjithashtu akuzoi Beogradin për kontrabandë armësh në Kosovë përmes Kishës Ortodokse Serbe, të cilën KFOR-i më vonë e mohoi.

Kearns tani ka bërë thirrje përsëri për një ndryshim në politikën e ShBA-së dhe BE-së ndaj Beogradit dhe pretendon se “Serbia po qesh përballë Bashkimit Evropian”.

“Ata pretendojnë se po shkojnë drejt së ardhmes euroatlantike, por në fakt janë të lidhur me Rusinë, me Iranin, kanë zgjedhur aleatët e tyre. Ata aktualisht po i qeshin BE-së në fytyrë, po i marrë paratë e tyre dhe nuk po ecin përpara në çështjen e reformave. Duhet që qasja e BE-së dhe ShBA-së të jetë e drejtë dhe e balancuar. Qasja aktuale ndaj Kosovës është e padrejtë, e pabalancuar dhe e gabuar, dhe ata duhet të paralajmërojnë se Serbia do t’i bartë pasojat dhe t’i jepet fund këtij iluzioni që kanë – se Serbia po punon për një të ardhme euroatlantike”, tha deputetja britanike.

24 nënshkruesit e letrës, duke përfshirë Michael Roth, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të parlamentit gjerman dhe homologu i tij francez Jean-Louis Bourlanges, i kërkuan BE-së të hetojë në mënyrë të pavarur akuzat e mashtrimit dhe të bëjë rekomandime për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta në Serbi, shkruan “Politico”, transmeton Klankosova.tv.

Nënshkruesit kryesojnë kryesisht komitetet e punëve të jashtme ose evropiane në parlamentet e tyre kombëtare dhe vijnë nga e gjithë BE-ja – duke përfshirë nga Franca, Italia, Danimarka dhe Luksemburgu – si dhe nga Ukraina, Moldavia dhe Britania e Madhe.

“Në varësi të gjetjeve të hetimit”, thonë ata, “mund të kërkohen zgjedhje të reja në Serbi”.

“Qëllimi ynë i përbashkët është ta shohim Serbinë si anëtare të Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade”, shtojnë ata. Kërkesa për hetim vjen pasi von der Leyen po përgatit planet për një BE me më shumë se 30 anëtarë.

Blloku aktualisht ka 27 vende anëtare, por në dhjetor hapi negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Vende të tjera, si Kosova, Gjeorgjia dhe disa tjera të Ballkanit Perëndimor, janë në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit. /Klankosova.tv

Deputetët europianë: BE të hetojë manipulimet masive zgjedhore në Serbi

24 deputetë nga e gjithë Europa kanë nënshkruar një letër, përmes së cilës kërkojnë hetim të pavarur për manipulimet industriale në zgjedhjet e fundit në Serbi, që nxorën fituese partinë e Aleksandër Vuçiçit.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut, Michael Roth, i cili tha se Vuçiç është i izoluar.

“I dashur president Aleksandër Vuçiç, ky s’është as konspiracion, as fushatë socialiste. Ju jeni totalisht i izoluar!

24 deputetë nga e gjithë Europa i bëjnë thirrje BE-së që të hetojë në mënyrë të pavarur akuzat për mashtrim dhe të bëjë rekomandime për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi”, ka shkruar ai.

Në letër, deputetët europianë thonë se e duan Serbinë brenda një dekadë në BE, por se për këtë duhet një demokraci funksionale në Serbi.

“Në hijën e pretendimeve për manipulime masive zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale serbe që u zhvilluan më 17 dhjetor 2023, i bëjmë thirrje BE-së të kryejë një hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë zgjedhore të raportuara dhe pretendimeve për mashtrim.

Qëllimi ynë i përbashkët është ta shohim Serbinë si anëtare të Bashkimit Europian brenda kësaj dekade. Një kërkesë e domosdoshme për këtë është një demokraci funksionale dhe shteti ligjor.

Manipulimet masive zgjedhore të vëzhguara nga misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vëzhguesit e pavarur të shoqërisë civile janë shkelje të qarta të parimeve të zgjedhjeve të lira, të barabarta dhe të fshehta dhe të cilat s’janë në pajtim me këtë kërkesë. Kjo ngre shqetësime të mëdha për legjitimitetin e rezultateve zgjedhore në nivel kombëtar dhe veçanërisht në lidhje me zgjedhjet për Kuvendin Komunal të Beogradit”.

Deputetët europianë thonë se këto ngjarje dhe reagimi represiv i shtetit pas tyre, tregojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të zhvillimit autokratik të vendit.

“Ky zhvillim përfshin bashkëpunimin e vazhdueshëm të Serbisë me Federatën Ruse, pavarësisht nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Kjo përbën një kërcënim kritik ndaj stabilitetit të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Nëse nuk ka përgjigje të përbashkët europiane tani, ajo do të kërkojë për veprime të ngjashme nga aktorët në shtetet fqinje në të ardhmen”.

Nënshkruese e letrës është edhe deputetja e zëshme britanike për çështjet në Ballkanin Perëndimor, Alicia Kearns, si dhe kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleksandr Merezhko. Po ashtu, deputetë nënshkrues janë edhe nga shtete të tjera përfshirë Francën, Italinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Irlandën etj.sn

BE i kërkon Serbisë të lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Luginë të Preshevës

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia që të lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në tri komunat në jug të Serbisë, të cilat paralajmërohen në përputhje me marrëveshjen e arritur në dialogu rreth vizitave të ndërsjella. Blloku ka kërkuar që Kosova të respektojë në të njëjtën mënyrë këtë marrëveshje.

Reagimi i BE-së vjen pasi ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në fillim të janarit iu refuzua leja për të vizituar Luginën e Preshevës – komunat jugore në Serbi: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Vizita e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Serbi ishte paralajmëruar në përputhje me marrëveshjen e dialogut rreth vizitave zyrtare. Prandaj, Serbia është dashur ta lejojë dhe ajo vizitë të realizohej”, u tha në një përgjigje të Peter Stano, zëdhënës i BE-së për punë të jashtme dhe siguri.

Stano tha po ashtu se “BE-ja vazhdon të bëjë ftesë për të dyja palët që në tërësi, dhe pa kushtëzime, të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe marrëveshjet për vizitat zyrtare dhe lirinë e lëvizjes”.

“Të gjitha mospajtimet duhet të zgjidhen përmes dialogut. BE-ja mbetet e gatshme t’ua lehtësojë palëve diskutimet për të gjetur zgjidhje”, tha zëdhënësi i BE-së.Më 4 janar, Sveçla kishte planifikuar që të vizitonte Luginën e Preshevës. Por, vizita nuk u lejua që të zhvillohej nga autoritetet e Serbisë.

Edhe në të kaluarën ka pasur raste kur Serbia, por edhe Kosova, kanë refuzuar që të japin leje për vizita zyrtare në shtetet përkatëse.

Më 27 nëntor të vitit 2021 autoritetet në Serbi kishin refuzuar kërkesën e katër ministrave për vizitë dyditore në Luginë të Preshevës.

Më herët, Kosova po ashtu kishte refuzuar vizitën në Kosovë e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç.

Në të gjitha këto raste, BE-ja gjithmonë i kishte kritikuar palët për refuzimin e dhënies së lejeve për vizita, duke u kërkuar atyre që të lejojnë vizita të tilla në bazë të marrëveshjes së arritur për vizita të ndërsjella zyrtare.

Sipas aranzhimeve mes Kosovës dhe Serbisë për vizitat zyrtare, të arritura nën ndërmjetësimin e BE-së, këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës. Ndërkaq, autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë ato.bw

Deputetja gjermane Cramon: Isha vëzhguese në Serbi, zgjedhjet u manipuluan, nuk kisha parë kurrë diçka të tillë më parë

Thirrja për autoritetet kompetente shtetërore të Serbisë që në mënyrë transparente të hetojnë të gjitha raportet e besueshme për parregullsi në zgjedhjet e dhjetorit u dëgjuan disa herë gjatë ditës së sotme nga foltorja e Parlamentit Evropian.

Ky i fundit ka diskutuar për zgjedhjet e fundit në shtetin serb, ku vëzhguesit ndërkombëtarë kanë hasur në parregullsi të shumta ndërsa kritika kishin edhe deputetët.
Më e zëshmja duket se ishte eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila tha se kurrë nuk ishte përballur në karrierën e saj me zgjedhjet sikurse në shtetin serb.

“Që kur u bëra vëzhguese e zgjedhjeve 20 vjet më parë, nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Le të jemi të qartë: këto zgjedhje janë të manipuluara. Janë të vjedhura. Opozita e bashkuar mund të kishte fituar në Beograd, nëse mijëra nuk do të ishin sjellë, riregjistruar ose nën presion për të votuar për SNS-in. Ne kërkojmë një hetim të paanshëm ndërkombëtar së bashku me OSBE-në siç ishte rasti në Serbi pas zgjedhjeve të vitit 1996. Është në interesin tonë të përbashkët të shohim një Serbi demokratike evropiane”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, Komisioneri Evropian për Drejtësi, Didier Reynders tha se këto zgjedhje ishin shumë të rëndësishme dhe se ato u mbajtën nën vëzhgimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Konkluzioni i raportit është se procesi zgjedhor duhet të reformohet, tha ai.

“Kur flasim për procesin zgjedhor të një shteti demokratik, ai duhet të përmirësohet për të folur për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Ne presim që të gjitha raportet e besueshme të parregullsive të trajtohen në mënyrë transparente nga forcat vendore të zbatimit të ligjit. Kjo përfshin pretendimet për parregullsi në zgjedhjet në Beograd dhe komunitete të tjera lokale. Këtu përfshihen rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme dhe ne presim që Serbia t’i zbatojë ato rekomandime sa më shpejt të jetë e mundur”, tha eurodeputeti.

Ai theksoi rëndësinë e protestave paqësore, si dhe se dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk është e pranueshme, duke shtuar se PE do të monitorojë nga afër protestat pas zgjedhjeve.

Ndryshe, partia në pushtet e Serbisë, SNS, e cila dikur udhëhiqej nga presidenti Aleksandar Vuçiq ka fituar zgjedhjet lokale, rajonale dhe parlamentare.

Megjithatë ato u kontestuan nga opozita serbe, e cila ka filluar sërish protestat pas një pushimi dyjavor shkaku i festave të fundvitit.

Parlamenti Evropian pritet të miratojë një rezolutë rreth zgjedhjeve në shtetin serb, e cili pritet të votohet në muajin shkurt.sn

BE fut në listën e terroristëve liderin e Hamasit: Masa, përgjigje ndaj kërcënimeve dhe sulmeve në Izrael

Yehya Sinwar kuptohet të jetë organizatori i sulmeve të 7 tetorit të grupit militant

 

Selia e BE-së tha se masa ishte në “përgjigje ndaj kërcënimit të paraqitur nga Hamasi dhe sulmeve të tij brutale dhe pa dallime terroriste në Izrael”.

Sinwar tani është subjekt i “ngrirjes së fondeve të tij dhe aseteve të tjera financiare në vendet anëtare të BE”, shtoi ai.

Vendimi vjen pasi blloku ngriu fondet dhe asetet e tjera në Evropë të Mohammed Deif, komandantit të përgjithshëm të krahut ushtarak të Hamasit dhe të zëvendëskomandantit Marwan Issa.

Kujtojmë se Hamasi është cilësuar si organizatë terroriste nga BE për rreth 20 vjet.panorama

Ushtria ukrainase thotë se ia ka rrëzuar Rusisë dy avionë spiunë

Njëri nga avionët që Ukraina thotë se i rrëzoi ishte avioni paralajmërues dhe kontrollues A-50, i cili ka një radar të madh që është në gjendje t’i vërejë caqet herët dhe në një largësi prej 650 kilometrave.

Ushtria e Ukrainës tha të hënën se forcat e saj i kanë rrëzuar dy avionë spiunë rusë gjatë një “misioni të suksesshëm” mbi Detin e Azovit.

“Forcat ajrore të ushtrisë ukrainase i kanë shkatërruar një avion gjurmues A-50 të armikut dhe një post të komandimit ajror Il-22 të armikut”, tha komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, gjenerali Valeriy Zaluzhniy, në Facebook.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk kishte të dhëna për rrëzimin e dy avionëve ushtarakë rusë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk ka komentuar rreth kësaj ngjarjeje.

Këta avionë janë mjete të rëndësishme për Rusinë, e cila i përdor për t’i orkestruar lëvizjet në fushëbetejat e luftës në Ukrainë.

Rrëzimi i tyre do të ishte arritje shumë e madhe për Ukrainën në luftën tashmë dyvjeçare, ku luftimet në vijën e frontit po zhvillohen kryesisht në llogore dhe me artileri.

A-50 është një avion paralajmërues dhe kontrollues me një radar të madh i cili është në gjendje t’i vërejë caqet herët dhe në një largësi prej 650 kilometrave.

Ai bart zakonisht një ekuipazh prej 15 vetave. Raportohet se Rusia vepron me nëntë avionë të tillë.

Il-22 është një post i komandës ajrore, i cili ka për qëllim t’i mbikëqyrë operacionet ushtarake dhe ritransmeton valë radiosh te trupat në vijën e frontit. Raportohet se forcat ajrore ruse kanë dhjetëra avionë të tillë.

Ukrainë është etur t’iu lënë mbresa mbështetësve të vet perëndimorë me aftësitë e saj për t’i përdorur armëve që ia kanë dhënë ata.

Ndërkohë, të hënën më herët, Kombet e Bashkuara u kërkuan donatorëve që gjatë këtij viti të japin 4.2 miliardë dollarë ndihmë humanitare për ukrainasit në shtetin e shkatërruar nga lufta dhe për ata që janë larguar nga shteti.

Mbi 14.6 milionë ukrainas brenda vendit, apo 40 për qind e popullsisë së përgjithshme, kanë nevojë për ndihmë humanitare gjatë këtij viti, tha zyra për Koordinim të Çështjeve Humanitare (OCHA).

Që nga nisja e këtij viti, Ukraina po përballet me një fushatë intensive të sulmeve ajrore ruse, duke vështirësuar edhe më shumë jetën e civilëve.rel

Deputeti gjerman: Nuk do e tolerojmë sjelljen autokratike të Vuçiçit

Deputeti i Bundestagut të Gjermanisë, Josip Juratoviç, thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i rishikojë negociatat me Serbinë për anëtarësim, pas parregullsive që u raportuan në zgjedhjet e mbajtura në muajin e kaluar.

Juratoviç, mes tjerash theksoi se nuk mund ta tolerojnë më qasjen autokratike gjithnjë e më të fortë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

“Në politikën tonë të jashtme, ne nuk mund të zgjedhim gjithmonë partnerët me të cilët do të negociojmë. Por në këtë situatë, në të cilën drejtuesi i kampanjës shpërfill parregullsitë në zgjedhje dhe në këtë mënyrë shkel hapur rregullat demokratike, ne nuk mund ta tolerojmë më këtë dhe nuk jam i vetëm në mendimin se negociatat e mëtejshme të para-anëtarësimit ndërmjet Serbisë dhe BE-së duhet të “ngrihen” derisa të respektohen parimet themelore të sistemit të vlerave demokratike”, ka thënë Juratoviç, në një intervistë për mediumin malazez “Pobjeda”.

“Fatkeqësisht, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të krijojë drejtpërdrejt politikën e Serbisë në botën demokratike të cilës ne i përkasim dhe të cilës gjoja synon Serbia, vetëm njerëzit mund ta bëjnë këtë përmes proceseve demokratike, duke përfshirë një garë të ndershme zgjedhore”.

Deputeti vuri në pah se ata që duan të bashkëpunojnë duhet të respektojnë rregullat demokratike.

“Ajo që mund të ndikojmë është që ata që duan të bashkëpunojnë me ne duhet të respektojnë rregullat demokratike nëse duan të jenë partnerët tanë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në të ardhmen. Këto zgjedhje janë kashta e fundit për tolerancën tonë ndaj qasjes autokratike gjithnjë e më të fortë të Aleksandar Vuçiçit dhe ndjekësve të tij”, tha deputeti i Bundestagut të Gjermanisë, Josip Juratoviç. /Klankosova.tv.

Nëna e tij u largua nga froni, Frederiku X kurorëzohet si mbreti i ri i Danimarkës

Danimarka hyri në një epokë të re pasi mbreti Frederik X mori fronin pas largimit nga froni të nënës së tij Mbretëreshës Margrethe II .

Dorëzimi i fronit u bë në një takim kabineti në Pallatin Christiansborg në kryeqytetin Kopenhagë, kur Margrethe nënshkroi një deklaratë për abdikimin e saj, duke ia transferuar zyrtarisht kurorën Frederikut, sipas Korporatës Daneze të Transmetimeve.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen më pas shpalli publikisht pranimin e Mbretit, një traditë e vendosur që nga kushtetuta e 1849.

Mijëra njerëz u mblodhën në rrugët e Kopenhagen, pavarësisht motit të ftohtë, për të dëshmuar nga afër momentin historik.

83 vjeçarja ishte monarkja më jetëgjatë e Evropës dhe mbretëresha e fundit e familjeve mbretërore në botë. Ajo njoftoi se mandati i saj historik do të përfundonte pas 52 vitesh në një fjalim në natën e Vitit të Ri.bw

Eksperti gjerman: Shitja e raketave amerikane për Kosovën, sinjal i ndryshimit të raporteve me Serbinë

Mesazhi që Shtetet e Bashkuara po dërgojnë në Serbi, duke paralajmëruar shitjen e raketave kundërtanke në Kosovë, është se Beogradi zyrtar nuk konsiderohet partner i besueshëm.

Kështu tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kurt Bassuener, hulumtues i latë në Këshillin për Demokratizim të Politikave me seli në Berlin.

SHBA-ja njoftoi më 11 janar se ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërajrore Javelin, që prodhohen në SHBA.

Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se blerja e tyre do t’i kushtojë Kosovës 75 milionë dollarë.

Tani kjo çështje është dërguar në Kongresin amerikan për miratim dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se beson që kërkesa për blerjen e këtyre armëve do të miratohet. Ndërkaq, homologu i saj serb, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar lajmin si “zhgënjim të madh”.

Bassuener tha se beson se kjo lëvizje ende nuk shfaq një ndryshim të politikës së Perëndimit ndaj Vuçiqit, por është tregues se ndryshimi i politkës mund të shqyrtohet.

“Mesazhi që SHBA-ja po dërgon me këtë blerje është se Serbia, pavarësisht deklaratave të Perëndimit se është partnere në dialog, nuk po konsiderohet partnere e besueshme, ose e besueshme nën udhëheqjen aktuale”, tha ai.

Njoftimi për synimin e Kosovës që të blejë sisteme raketore nga SHBA-ja vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta.

Në muajt e fundit, ushtria serbe disa herë ka lëvizur trupat drejt kufirit me Kosovën, kufi që ruhet nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, teksa u regjistruan disa incidente në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – përfshirë edhe një sulm të armatosur nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovë në Banjskë të Zveçanit.

SHBA-ja ka thënë se dhuna e parë në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës dhe gjatë përleshjeve që pasuan u vranë dhe tre sulmues serb, nuk do të lejohet që të përsëritet.

Eksperti gjerman Bassuener tha se beson që incidenti në Banjskë është një prej motiveve që SHBA-ja dëshiron të forcojë kapacitetet mbrojtëse të Kosovës.

“Në takimet e mia në Uashington, nuk kam parë ndryshim të madh në mënyrën e mendimit. Por, ka më shumë njohje se politikat që janë ndjekur deri më tani nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Prandaj, shpresoj se vendimi për raketat Javelin është sinjali i parë i një ndryshimi të strategjisë ndaj Ballkanit Perëndimor nga të dyja anët e Atlantikut”, tha ai.

Shitja e sistemeve Javelin, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.

Kosova edhe në të kaluarën ka blerë ose ka pranuar në formë donacioni armë nga Shtetet e Bashkuara.

Zyrtari i Bundestagut gjerman: Vuçiçi nuk është më një partner i besueshëm, s’ka vend për shërbëtorët e Putinit në BE

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth deklaroi për gazetën “Nova” se Aleksandar Vuçiç nuk është më një partner i besueshëm, sepse nuk ka vend për shërbëtorët e Putinit në Bashkimin Evropian. “Vëzhguesit ndërkombëtarë në këto zgjedhje raportuan për blerjen e votave dhe përdorimin e votuesve fantazmë në favor të SNS-së në pushtet. Këto janë metoda nga mjetet e një sundimtari autokratik, jo të një presidenti që është i përkushtuar ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe dëshiron ta udhëheqë vendin e tij në BE”, tha Roth.

Reporteri në Bundestagun për Ballkanin Perëndimor, Thomas Hacker, ka thënë për N1, duke folur për zgjedhjet në Serbi, se “vëzhgues të ndryshëm kanë konstatuar parregullsi të ndryshme”. Sipas tij, marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Gjermanisë kanë qenë shumë intensive për vite me radhë. Ai përsëriti se hapja dhe transparenca janë më të rëndësishmet në zgjedhjet demokratike. “Qeveria duhet të ketë interes, nëse gjithçka ka qenë në rregull, ta vërtetojë duke paraqitur ato dokumente, lista zgjedhore. Nëse nuk e bëjnë këtë, mendoj se BE-ja ka detyrim të bëjë pyetje, të pyesë se çfarë po ndodh me parregullsitë e raportuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë, çfarë ndikimi kanë pasur ato manipulime në rezultatet e zgjedhjeve”, thotë ai.

Sipas tij, “në parlamentin e Beogradit këto manipulime, siç duket, ndryshuan ndjeshëm rezultatin dhe votat e opozitës duket se kanë kaluar në duart e pushtetarëve”. Ai gjithashtu iu referua se çfarë do të ndodhë nëse “situata përshkallëzohet”. “Nëse bllokadat në veri të Kosovës organizohen nga Serbia dhe nëse mund të hiqen vetëm me një fjalë, nëse Dodik ishte në një demonstratë në Beograd verën e kaluar, në një tubim dhe thoshte rroftë Serbia, rroftë Serbia, rroftë Rusia, dhe Vuçiqi po i qëndron pranë, se edhe kjo tregon se qeveria aktuale ka tendenca kombëtare ose ka një hap prapa, nëse situata është e tillë që krahas gjithë kësaj ende kryen manipulime elektorale, atëherë ne jemi shumë kritik ndaj kësaj dhe kjo është arsyeja pse transparenca është shumë e rëndësishme. Le t’i nxjerrim faktet atje dhe të shohim se çfarë ndodhi,”, -thotë ai.bw

“NATO ka vdekur”, zyrtari i BE zbulon bisedën me Trumpin: Më tha se nëse Europa sulmohet, SHBA nuk do të ndërhyjë

Komisioneri Evropian për Tregun e Brendshëm Thierry Breton ka zbuluar një bisedë të kaluar mes tij dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se ky i fundit e paralajmëroi se SHBA nuk do e ndihmonte BE-në nëse do të sulmohej.

“Duhet të kuptoni se nëse Evropa është nën sulm, ne nuk do të vijmë kurrë t’ju ndihmojmë dhe t’ju mbështesim,” citoi ai të ketë thënë ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Sipas Breton, ish-presidenti e bëri këtë koment gjatë një bisede me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos në vitin 2020. Në takim ishte i pranishëm edhe vetë Breton.

Komisioneri evropian pretendon se edhe Trump tha se “NATO ka vdekur” dhe se SHBA-të do të tërhiqen nga aleanca. “Kjo ishte një thirrje e madhe zgjimi dhe ai mund të kthehet,” tha Breton për Trump.bw

Opozita italiane kërkon hetim pasi qindra demonstrues bënë përshëndetje fashiste

Televizioni shtetëror italian tha të hënën në mbrëmje se autoritetet po hetonin përshëndetjen masive në demonstratë.

Politikanët e opozitës në Itali të hënën kërkuan që Qeveria, e kryesuar nga kryeministri i ekstremit të djathtë Giorgia Meloni, të shpjegojë se si qindra demonstrues arritën të bënin një përshëndetje të ndaluar fashiste në një tubim në Romë pa asnjë ndërhyrje policore.

Tubimi i së dielës mbrëma në një lagje të klasës punëtore përkujtoi vrasjen në vitin 1978 të dy anëtarëve të një grupi rinor neofashist në një sulm të pretenduar më vonë nga militantët e ekstremit të majtë.

Në një moment të tubimit, pjesëmarrësit ngritën krahun e djathtë në një përshëndetje me krahun  drejt që i referohet diktaturës fashiste të Benito Musolinit.

Sipas legjislacionit të pasluftës, përdorimi i simbolikës fashiste, përfshirë përshëndetjen me krahun drejt të njohur edhe si përshëndetja romane, është e ndaluar.

Shefja e Partisë Demokratike Elly Schlein, e cila kryeson partinë më të madhe opozitare në legjislaturë, ishte ndër ata që kërkuan të hënën që Ministri i Brendshëm i Melonit të paraqitej në Parlament për të shpjeguar pse policia me sa duket nuk bëri asgjë për të ndaluar tubimin.

Elly Schlein dhe të tjerët të indinjuar nga përdorimi i përshëndetjes fashiste në tubim e vunë në dukje këtë muajin e kaluar, kur një shikues në premierë në La Scala bërtiti “Rroftë Italia antifashiste!” Burri u rrethua shpejt nga policia nga skuadra antiterrorizëm e Italisë.

“Nëse bërtisni “Rroftë Italia antifashiste”në një teatër, ju identifikoheni nga policia; nëse shkon në një tubim neofashist me përshëndetje dhe banderola romane, nuk identifikohesh,” tha Schlein në një postim në platformën e mediave sociale X. Më pas ajo shtoi: “Meloni nuk ka asgjë për të thënë?”

Televizioni Shtetëror Rai tha të hënën në mbrëmje se policia italiane po hetonte përshëndetjen masive në tubim.

Zëvendëskryeministri Antoni Tajani, i cili drejton një parti të qendrës së djathtë në koalicionin 14-mujor të Melonit, u mësy nga gazetarët për përshëndetjen fashiste.

“Ne jemi një forcë që sigurisht nuk është fashiste, ne jemi antifashistë,” tha Tajani në një konferencë shtypi për një çështje tjetër.

Tajani, i cili shërben gjithashtu si ministër i Jashtëm, vuri në dukje se sipas ligjit italian, mbështetja e fashizmit është e ndaluar. Të gjitha mitingjet “në mbështetje të diktaturës duhet të dënohen”, tha ai.sn

Gabriel Attal do të jetë kryeministri më i ri francez

Emmanuel Macron ka zgjedhur 34-vjeçarin për të udhëhequr qeverinë e ardhshme për të zëvendësuar Elisabeth Borne në dorëheqjen.

VOAL- Pas dorëheqjes së Elisabeth Borne, presidenti francez Emmanuel Macron zgjodhi Gabriel Attal për të zënë vendin e kryeministrit dhe e ngarkoi atë të formonte qeverinë e ardhshme.

34-vjeçari do të jetë kryeministri i parë homoseksual dhe kreu më i ri i qeverisë në historinë e Republikës së Pestë, duke tejkaluar të parin e mbajtur deri tani nga Laurent Fabius, i cili iu bashkua Matignon më 1984 në moshën 37-vjeçare.

Qarkullonin edhe emrat e Sébastien Lecornu dhe besnik Julien Denormandie, por Macron preferoi të fokusohej në një personalitet shumë të njohur sipas sondazheve. Attal, pasi ishte zëdhënës i Ekzekutivit, menaxhoi portofolin e arsimit.

Djali i një producenti filmash, Attal hyri në politikë si socialist, por menjëherë iu bashkua lëvizjes en Marche më 2016! e cila i shërbeu Macronit si trampolinë drejt Elysee.rsi-eb

Pr/ligji – Pakti Meloni-Rama për refugjatët/ Parlamenti italian nis dëgjesat me profesorë universitetesh

SYRI TV ka zbardhur se deri më ora 18.00 të datës 11 janar 2024, deputetët e parlamentit italian kanë afat të prezantojnë në format dixhital, propozimet amenduese mbi draft-ligjin “Ratifikimi e ekzekutimi i protokollit mes Qeverisë së Republikës Italiane e Këshillit të Minsitrave të Republikës së Shqipërisë mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e emigracionit firmosur më 6 nëntor 2023 në Romë si dhe normat e koordinimit të sistemit të brendshëm ligjor.”

Prej orës 17.15 të ditës së sotme, 8 janar 2024 e deri më ora 18.00 të datës 11 janar Komisioni i Çështjeve të Jashtme e Çështjeve Komunitare në parlamentin italian, nis një maratonë dëgjesash informale me ekspertët më të mirë të problematikave të së drejtave kushtetuese e humanitare mbi emigracionin, njoftoi gazetarja Alba Kepi nga Italia.

SYRI TV ka mësuar se në dëgjesat informale me komisionin parlamentar është ftuar të flas në lidhje videokonferencë dhe shqiptarja Lea Ypi, profesoreshë e Teorisë Politike në departamentin e qeverisë pranë Shkollës së Ekonomisë në Londër.

Në kalendarin e këtij komisioni, pasditen e sotme parashikohen dëgjesat me katër profesorë universitarë të Universiteteve King’s College Londër, Universiteti  Tuscia, Universitit Roma Tre e Universiteti i Firenzes, dhe me Ambasadorin italian në Tiranë Fabrizio Bucci.

Ditën e dytë të dëgjesave, datë 9 janar 2024, do të referojnë 6 profesorë të tjerë universitarë mes të cilëve dhe shqiptarja Lea Ypi si dhe përfaqësues të organizatës joqeveritare Mediterranea Saving Humans, përfaqësues të Amnesty International, përfaqësues të Organizatës Botërore të Emigrantëve dhe përfaqësues të shoqatës kombëtare italiane Juristët Demokratë.

Komisioni i Çështjeve të Jashtme do të mbyll dëgjesat më ora 18.00 të datës 11 janar me afatin e fundit kohor të dorëzimit të propozimeve amenduese mbi këtë draft ligj.

Nuk është parashikuar hedhja në votë e tij brenda Komisionit të Çështjeve të Jashtme.

Pas analizës në Komision, draft ligji do të merret në diskutim nga Dhoma e Deputetëve e do t’i nënshtrohet votës së parlamentarëve.

Michel hoqi dorë nga drejtimi, ja si aleati i vetëm i Putinit në BE mund të marrë drejtimin e Këshillit Evropian

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán mund të marrë drejtimin e Këshillit Evropian në korrik, nëse liderët e BE-së nuk arrijnë të gjejnë me shpejtësi një pasardhës të presidentit aktual.

Charles Michel njoftoi papritur të shtunën se ai do të ishte kandidati kryesor për partinë e tij liberale belge, Lëvizja Reformiste, në zgjedhjet evropiane që mbahen më 6-9 qershor.

Kjo do të thotë se Michel, i cili ka kryesuar Këshillin Evropian që nga viti 2019, ka shumë të ngjarë të zgjidhet si anëtar i Parlamentit Evropian (PE) dhe të largohet si shef i Këshillit pas zgjedhjeve.

27 krerët e qeverive të BE-së tani kanë më pak se gjashtë muaj për të emëruar pasardhësin e tij. Roli i Presidentit përfshin kryesimin e takimeve të Këshillit Evropian dhe ndërmjetësimin e marrëveshjeve ndërmjet shteteve anëtare, duke përfshirë vendimet e ndjeshme të buxhetit dhe politikës së jashtme.

Sipas traktateve të BE-së, në mungesë të një presidenti, vendi që mban presidencën e radhës gjashtëmujore të Këshillit merr përgjegjësinë e përkohshme. Kjo do të thotë se pa një pasardhës, kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán do të merrte kontrollin e Këshillit kur vendi i tij të marrë presidencën e radhës më 1 korrik.

Mundësia e marrjes së presidencës nga Orban në gjysmën e dytë të vitit ka trembur Brukselin, pasi ky i fundit u pa përkrah presidentit rus Vladimir Putin në Samitin e Pekinit.

Paketa e propozuar e BE-së prej 50 miliardë eurosh në mbështetje të Ukrainës aktualisht është duke u penguar nga Hungaria pasi Orbán vuri veton ndaj miratimit të saj gjatë një samiti të KE në dhjetor.bw

Ministri i Jashtëm italian kërkon formimin e ushtrisë së BE-së

Bashkimi Evropian duhet të formojë ushtrinë e tij të përbashkët që mund të luajë një rol paqeruajtës dhe për të parandalojë konflikte, tha ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Në një intervistë për gazetën italiane, La Stampa, Tajani tha se bashkëpunimi më i ngushtë evropian në fushën e mbrojtjes është prioritet i partisë Forza Italia, që ai udhëheq.

“Nëse duam të jemi paqeruajtës në botë na duhet një ushtri evropiane. Ky është një parakusht thelbësor që të jemi në gjendje të kemi një politikë efektive të jashtme evropiane”, tha ai në intervistën që u publikua më 7 janar.

“Në një botë me lojtarë të fuqishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Rusia – me kriza nga Lindja e Mesme e deri në Indo-Paqësor – qytetarët italianë, francezë apo sllovenë mund të mborhen vetëm nga diçka që veçse ekziston, domethënë Bashkimi Evropian”, shtoi ai.

Çështja e bashkëpunimit evropian në fushën e mbrojtjes është ngritur në agjendën politike që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës pothuajse dy vjet më parë.

Megjithatë, përpjekjet janë përqendruar më shumë në zgjerimin e NATO-s, me Finlandën – anëtaren e BE-së – që iu bashkua aleancës vitin e kaluar dhe me Suedinë që po ashtu është në rrugë që t’i bashkohet NATO-s.

Tajani po ashtu tha se 27 shtetet e BE-së duhet të përmirësojnë udhëheqjen e tyre dhe të krijojnë një presidencë të vetme, e jo sikurse struktura aktuale, ku Këshilli Evropian ka president dhe Komisioni Evropian po ashtu ka president.

Tajani u bë udhëheqës i Forza Italia vitin e kaluar pas vdekjes së Silvio Berlusconit.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor do të jenë matësi i parë i popullaritetit të partisë, pasi humbi liderin e saj karizmatik, Silvio Berlusconi.rel

Ukraina konfirmon se Rusia e sulmoi me raketa verikoreane për herë të parë

Rusia e ka sulmuar Ukrainën me raketa, me të cilat e furnizoi Koreja e Veriut, për herë të parë prej se e nisi pushtimin e saj para dy vjetëve, tha një zyrtar i Kievit të premten, duke i vërtetuar vlerësimet e mëhershme të Shtëpisë së Bardhë.

Ai e tha këtë në rrjetin social X, pasi guvernatori i rajonit verilindor Harkiv, tha se rajoni u sulmua me raketa të shprehur nga Rusia, të cilat nuk ishin prodhim rus.

“Nuk ka më maskim… në luftën e saj prej gjenocidi, Federata ruse për herë të parë e goditi territorin e Ukrainës me raketa që i ka marrë nga Koreja Veriore”, tha zyrtari i lartë i Kievit, Mykhailo Podolyak.

Ai nuk ofroi prova se raketat ishin verikoreane. Në një komunikatë për media të enjten, Uashingtoni i citoi të dhënat e inteligjencës amerikane.

“[Rusia] po i sulmon ukrainasit me raketa që i ka marrë nga një shtet, ku qytetarët torturohen në kampe të koncentrimit, vetëm pse kanë radio të paregjistruar, pse flasim me ndonjë turist, apo pse shikojnë emisione televizive”, tha Podolyak.

Kremlini nuk u është përgjigjur pyetjeve rreth vlerësimeve të SHBA-së se Rusia shkrepi raketa verikoreane me rreze të shkurtra veprimi në Ukrainë.

Kombet e Bashkuara vendosën embargo armësh ndaj Koresë së Veriut në vitin 2006, kur ajo e kreu testimin e parë bërthamor.

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuara me mbështetjen e Rusisë, ua ndalojnë shteteve të bëjnë tregti armësh, apo pajisjesh tjera ushtarake me Korenë e Veriut.rel

Polonia: Perëndimi t’u përgjigjet sulmeve ruse në gjuhën që Putini e kupton

Polonia i ka bërë thirrje Perëndimit që t’i përgjigjet Rusisë, pasi Moska kreu dy sulme masive ajrore në Ukrainë dhe Kievi u kundërpërgjigj me sulme në rajonet kufitare ruse dhe në Krimenë e pushtuar.

Të paktën pesë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmet ruse me dronë dhe raketa në dhe përreth Kievit, por edhe në Harkiv më 2 janar. Ushtria ukrainase kishte raportuar për sulme në shkallë të njëjtë edhe ditë më parë.

Më 3 janar, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, tha e Perëndimi duhet t’u përgjigjet sulmeve “në gjuhën që [presidenti rus, Vladimir] Putin e kupton: ashpërsimin e sanksioneve në mënyrë që ai të mos mund të prodhojë armë të tjera me komponentë të kontrabanduar dhe duke i dhënë Kievit raketa me rreze të gjatë veprimi që do t’i mundësonin të kryente sulme në vendet prej ku Rusia kryen sulme dhe në qendrat e komandimit”.

Ditë më parë, Putin ka thënë se shteti i tij do të “intensifikojë” sulmet ndaj Ukrainës, duke shtyrë ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, të akuzojë Moskën se po kërkon që ta “asgjësojë” Ukrainën.

Gjermania “do të qëndrojë me popullin e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shkroi ajo në X, që më herët njihej si Twitter.

Rritja e sulmeve vdekjeprurëse, shumica e të cilave kanë për cak zonat e banuara, ka nxitur ambasadorin e Francës në Kombet e Bashkuara, Nicolas de Riviere, të deklarojë se është pesimist për rrjedhën e ngjarjeve në Ukrainë.

Sipas tij, situata në Ukrainë është përkeqësuar jashtëzakonisht shumë.

Më herët gjatë 3 janarit, dronët ukrainas sulmuan Krimenë, gadishullin që Rusia e aneksoi ilegalisht më 2014, dhe dy rajone ruse në kufi me Ukrainën.

Autoritetet ruse nuk kanë raportuar për viktima nga sulmet në rajonet kufitare. Por, javën e kaluar, si pasojë e sulmeve, që Moska ka thënë se janë kryer nga Ukraina, në rajonin rus të Belgorodit u vranë 25 persona.

Ukraina po i bën thirrje aleatëve perëndimorë që të përshpejtojnë dërgesat e sistemeve të mbrojtjes ajrore, të raketave me rreze të gjatë veprimi, dronëve luftarakë, në mënyrë që t’iu kundërpërgjigjet sulmeve ruse.rel

Rusia godet qytetet e Ukrainës pasi presidenti Putin u zotua të intensifikojë sulmet

VOA

Zyrtarët ukrainas thanë të martën se Rusia kreu sulme në shkallë të gjerë me raketa që lanë pas vetes të paktën katër të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Kiev dhe Kharkiv.

“Që nga 31 dhjetori, përbindëshat rusë kanë hedhur tashmë 170 dronë ‘Shahed’ dhe dhjetëra raketa të llojeve të ndryshme. Shumica absolute e tyre synonin infrastrukturën civile”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Ai tha se numri i të plagosurve ka arritur në 92 duke theksuar se Ukraina do të punojë me “këdo në botë që e vlerëson jetën” për të forcuar mbrojtjen ajrore të saj dhe për të mbajtur Rusinë përgjegjëse.

“Shteti terrorist duhet të ndjejë pasojat e veprimeve të tij”, tha presidenti Zelenskyy.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se mbrojtja ajrore rrëzoi të gjithë 35 dronët Shahed të prodhuar nga Irani që u hodhën të martën nga Rusia, ndërsa alarmet për sulme ajrore vazhduan me orë të tëra, duke u kërkuar banorëve të strehohen mes sulmeve me raketa.

Kryebashkiaku u Kievit, Vitali Klitschko tha se mbetjet nga një raketë e rrëzuar plagosën të paktën 20 veta dhe shkaktuan zjarr në një ndërtesë shumëkatëshe në kryeqytetin ukrainas. Ai raportoi shpërthime të shumta në qytet ndërsa mbrojtja ajrore iu përgjigj valës së raketave ruse, që shkaktuan zjarre në të paktën pesë lagje.

Breshëria ruse në orët e mëngjesit, ndërpreu gjithashtu energjinë elektrike dhe dëmtoi linjat e gazit në disa pjesë të Kievit.

Në Kharkiv, kryebashkiaku Ihor Terekhov tha se qyteti ishte nën një “sulm të madh me raketa”.

Oleg Sinegubov, shefi i administratës ushtarake në Kharkiv, tha në rrjetin Telegram se sulmet ruse vranë të paktën një person dhe plagosën më shumë se 40 të tjerë.

Në Poloninë fqinje, ushtria tha se dërgoi katër avionë ushtarakë F-16 për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore mes sulmeve ruse.

Sulmet e së martës pasuan një paralajmërim nga presidenti rus Vladimir Putin se Rusia do të intensifikonte sulmet ndaj Ukrainës, pas një sulmi vdekjeprurës ukrainas të shtunën në qytetin rus të Belgorodit, që vrau 24 veta dhe plagosi më shumë se 100 të tjerë.

Gjatë një vizite në një spital ushtarak të hënën, presidenti Putin e quajti sulmin e Ukrainës në Belgorod “një akt terrorist”, duke akuzuar forcat ukrainase se kishin shënjestruar “pikërisht qendrën e qytetit, ku njerëzit po ecnin përreth, para natës së Vitit të Ri” dhe pretendoi se ata kishin “goditur qëllimisht popullatën civile”.

Ai tha se Rusia do të vazhdojë të godasë ato që ai i quajti “objektiva ushtarake” dhe shfaqi besimin se “iniciativa strategjike” në konfliktin e zgjatur në Ukrainë ishte në anën ruse. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ruse TASS, presidenti rus tha se Moska dëshironte t’i jepej fund luftës pothuajse dyvjeçare, por, theksoi ai, “vetëm sipas kushteve tona”.

* Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

BE-ja ashpërson sanksionet për importimin e mallrave të luksit nga Rusia, listës i shtohen edhe diamantet

Për shkak të luftës ruse kundër Ukrainës me fillimin e vitit të ri në Bashkimin Evropian nuk lejohet të importohen më diamante dhe bizhuteri me diamante nga Rusia.

Kjo masë ju shtua sanksioneve të miratuara kundër Rusisë në dhjetor 2023 për shkak të luftës agresore kundër Ukrainës. Ky sansksion synon ta privojë qeverinë e Moskës nga një burim i rëndësishëm të ardhurash dhe në këtë mënyrë të kufizojë aftësitë e saj për të financuar luftën kundër Ukrainës.

Komisioni i BE-ë kishte vlerësuar së fundmi se të ardhurat e Rusisë nga shitja e diamanteve shkojnë në rreth katër miliardë euro në vit.

Ripërtërtije e vazhdueshme e sanksioneve

Këshilli Evropian i ka zgjatur dhe shtuar herë pas here masat kufizuese ndaj sektorëve të ndryshëm të ekonomisë së Federatës Ruse. Sanksionet, të cilat përtërihen çdo gjashtë muaj, përfshijnë një gamë të gjerë sektorësh si tregtinë, financat, industrinë, teknologjinë, transportin dhe mallrat e luksit.

Kështu Këshilli Evropian ka vendosur p.sh. reduktimin dhe ndalimin e importit të gazit, të naftës apo të qymyrit nga Rusia, ndalimin e importit të prodhimeve ushqimore, pijeve alkoolike apo lëndës drusore dhe prodhimeve të drurit; ndalimin e anijeve ruse për t’u ankoruar në portet e BE-së dhe mjaft masa të tjera.

Sansksioneve kundër Fedreatës Ruse u janë bashkuar edhe mjaft vende jo anëtare të BE-së.bw

NATO dhe SHBA konsultohen me Poloninë, pasi një raketë ruse hyri në hapësirën e saj ajrore

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, bisedoi me presidentin e Polonisë të premten për shenjat se një raketë ruse u fut në hapësirën ajrore polake më 29 dhjetor, gjatë një sulmi të madh me raketa dhe dronë që Moska e kreu në Ukrainë.

Stoltenberg tha se e konsultoi presidentin Andrzej Duda për “incidentin raketor” dhe shkroi në rrjetin social X se “NATO-ja është duke e vëzhguar gjendjen dhe do të mbajë kontakt derisa të zbardhen faktet”.

Forcat e Mbrojtjes së Polonisë thanë të premten se një objekt i panjohur ishte futur në hapësirën ajrore polake nga drejtimi i Ukrainës dhe pastaj ishte zhdukur nga radari.

“Çdo gjë tregon se një raketë ruse u fut në hapësirën ajrore të Polonisë. Ne e vëzhguam atë në radar dhe pastaj ajo u zhduk nga radari. Kjo është e konfirmuar nga radarët dhe nga aleatët tanë në NATO”, tha komandanti i Forcave të Armatosura të Polonisë, gjenerali Wieslaw Kukula.

Forcat e Mbrojtjes së Polonisë thanë se objekti u fut 40 kilometra brenda hapësirës ajrore polake dhe u largua pas më pak se tre minutave.

Kukula tha se janë duke u ndërmarr hapa për t’i vërtetuar gjetjet dhe për ta eliminuar mundësinë e një gabimi teknik.

Polonia e thirri në takim të ngarkuarin e Rusisë me detyrë në Varshavë dhe i kërkoi shpjegim. Agjencia e lajmeve e Rusisë, RIA Novosti, e citoi të ngarkuarin rus me punë në Varshavë të ketë thënë se Polonia nuk dha dëshmi për shkelje kufitare.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, bisedoi me telefon me shefin e zyrës për Siguri Kombëtare të Polonisë, Jacek Siewiera, për t’ia shprehur “solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me Poloninë, derisa ajo po merret me raportimet për futjen e një rakete në hapësirën ajrore polake përkohësisht”, tha Shtëpia e Bardhë.

Sullivan u zotua për ndihmë teknike dhe e siguroi Siewieran se presidenti amerikan, Joe Biden, është duke e përcjell me vëmendje këtë incident.

Nuk është e qartë se ku u zhduk objekti nga radari, apo në cilin drejtim ishte duke shkuar. Trupat polake u mobilizuan për ta gjetur atë.

Ukraina e ka cilësuar sulmin raketor rus si më të madhin deri tani në luftën pushtuese që Moska e nisi në shkurt 2022.

Cak i sulmeve ishin kryeqyteti Kiev, si dhe qytetet e mëdha si Odesa, Dnipropetrovski, Harkivi dhe Lvini.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klymenko, tha se 30 njerëz u vranë dhe më shumë se 160 të tjerë u plagosën.rel

Spanja e përmbyll dhe Belgjika nis kryesimin e BE-së

Radio Evropa e Lirë

Spanja me fundin e vitit 2023 e përmbyll kryesimin e Bashkimit Evropian (BE) për t’ia dorëzuar këtë detyrë Belgjikës.

Kështu Belgjika, vendi në të cilin edhe ndodhet selia e Bashkimit Evropian, dhe i cili ishte i pari që kishte rolin e kryesuesit kur ky sistem u vendos, do të kryesojë për të 13 herë me radhë.

Dhe ky kryesim i Belgjikës ndodh në një moment kyç për BE-në pasi nga fundi i kësaj presidence, mes datave 6 dhe 9 qershor, do të zhvillohen zgjedhjet evropiane.

E, për Belgjikën, dita e zgjedhjeve do të jetë edhe më e rëndësishme pasi në të njëjtën ditë me zgjedhjet për Parlamentin Evropian, do të zhvillohen edhe zgjedhjet nacionale, edhe ato rajonale edhe ato lokale. Pavarësisht, kësaj Qeveria e Belgjikës ka premtuar se do të ketë kapacitete të duhura dhe fokusin e mjaftueshëm për ta kryer detyrën e kryesuesit të radhës me sukses.

Edhe Spanja gjatë kryesimit të saj me BE-në në pjesën e dytë të vitit 2023 kaloi përmes procesit zgjedhor.

Spanja, gjatë kryesimit të saj me BE-në, ndër prioritetet pati edhe procesin e zgjerimit dhe këtë, po ashtu, pritet ta ketë edhe Belgjika.

Gjatë kryesimit të Spanjës u miratuan vendime historike për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, u shpreh edhe gatishmëria për të nisur negociatat me kusht edhe me Bosnje e Hercegovinën dhe Gjeorgjisë iu dha statusi i vendit kandidat Gjeorgjisë.

Nuk pati asnjë hap të vetëm sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe kjo nuk pritej gjatë kryesimit të Spanjës, e cila është ndër vendet anëtare të BE-së që e kundërshton ashpër pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, Kosova mori pjesë në një samit të Bashkësisë Politike Evropiane që u zhvillua në Granada të Spanjës, si dhe në një samit të përbashkët BE-Ballkani Perëndimor, i cili u zhvillua në muajin dhjetor në Bruksel.

Diplomatët në Bruksel thonë se në pjesën e parë të vitit 2023, kur kryesimin e BE-së e pati Suedia, pati përpjekje që Këshilli i BE-së të shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe eventualisht t’i japë mandat Komisionit Evropian për të përpiluar mendimin rreth këtij aplikimi. Por, as Suedia nuk arriti të sigurojë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare për një gjë të tillë, ndërsa Spanja ishte ndër vendet që më së shumti e kundërshtonte këtë.

Tash kur Belgjika merr kryesimin e radhës nuk është e qartë nëse do të kthejë në shqyrtim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund të vitit 2022 kur kryesimin e radhës e kishte Çekia.

“Kjo është edhe çështje ligjore, pasi pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur të gjitha vendet anëtare e në zgjerim vendoset me konsensus. Por, është edhe çështje politike pasi lidhet edhe me sjelljen e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e obligimeve që dalin nga ky proces”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i BE-së.

Në dokumentet e Qeverisë së Belgjikës ku përmenden prioritetet, me të cilat do të merret gjatë gjashtë muajve sa do të jetë në krye të BE-së vetëm shkruan se gjatë kësaj periudhe “do të çojë përpara punën në procesin e zgjerimit që është në vazhdim e sipër”.

“Presidenca belge do të monitorojë proceset që janë në vazhdim e sipër me të gjitha vendet relevante, në përputhje me metodologjinë ekzistuese, bazuar në qasjen e meritave individuale, dhe progresin e secilit kandidat në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit”, thuhet në dokumentin e prioriteteve të Belgjikës, e cila do ta kryeson BE-në në gjysmën e parë të vitit 2024.

“Do të inkurajojmë integrimin në BE duke promovuar reformat e domosdoshme transformative në fushat kyçe, posaçërisht sundimin e ligjit, institucionet demokratike, lirinë e mediave dhe të drejtat themelore”, thuhet në këtë dokument.

Po ashtu, nënvizohet se pikërisht gjatë kryesimit të Belgjikës me BE-në, më saktësisht më 1 maj të vitit 2024, do të shënohet 20-vjetori i zgjerimit më të madh të Bashkimit Evropian. Belgjika si kryesuese e BE-së e vlerëson këtë si “hap të madh drejt bashkimit dhe prosperitetit të kontinentit të Evropës”.

Belgjika, gjatë kryesimit do të merret edhe me definimin e një agjende strategjike për zhvillimin e BE-së ku zgjerimi do të ketë një vend të rëndësishëm.
Kjo “agjendë strategjike” do ta vendosë bazën për veprimin e BE-së në periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2029.

“Paralelisht presidenca do t’u kushtojë vëmendje të veçantë kapaciteteve të BE-së për të integruar anëtarë të rinj dhe të avancojë reflektimet për reformat e brendshme që nevojiten për një zgjerim të suksesshëm në të ardhmen”, thuhet në dokumentin e prioriteteve të presidencës belge të Bashkimit Evropian.

Sa i përket procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian gjatë kryesimit të Belgjikës do të mund të nisin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, pasi për një gjë të tillë ishte miratuar vendimi në takimin e fundit në dhjetor të Këshillit Evropian. Bosnja e Hercegovina do të vlerësohet në muajin mars për të parë nëse i ka përmbushur apo jo disa kushte për të nisur edhe ajo negociatat e anëtarësimit.

Belgjika ka paralajmëruar se do të vazhdojë thellimin e bashkëpunimit me fqinjët evropianë që nuk janë në BE, nga Zvicra e deri te Ballkani Perëndimor, për t’u përballur me sfidat e përbashkëta si siguria e furnizimit me energji dhe çështjet e migrimit. Po ashtu, Belgjika do të mbajë fokusin e BE-së në forcimin e Aleancën me Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkëveprimin me NATO-n.

Polonia thotë se një raketë ruse hyri në hapësirën e saj ajrore dhe më pas u largua

VOA/Marrë nga Associated Press

Forcat e mbrojtjes së Polonisë njoftuan se një objekt i panjohur hyri në hapësirën ajrore të vendit të premten në mëngjes nga drejtimi i Ukrainës dhe pastaj u zhduk nga radarët. Sipas tyre, të gjitha shenjat flasin se bëhet fjalë për një raketë ruse.

“Të gjitha shenjat tregojnë se një raketë ruse ndërhyri në hapësirën ajrore të Polonisë. E kemi vëzhguar në radarë dhe pastaj u largua nga hapësira ajrore. E kemi të konfirmuar në radarë dhe nga aleatët” e NATO-s, tha Shefi i mbrojtjes së Polonisë, Gjenerali Wieslaw Kukula.

Forcat e mbrojtjes së Polonisë njoftuan se objekti depërtoi rreth 40 kilometra në hapësirën ajrore polake dhe u largua pas më pak se tre minutash. Forcat e mbrojtjes thanë se radari i tyre dhe i NATO-s konfirmuan se objekti u largua nga hapësira ajrore e Polonisë.

Gjenerali Kukula tha se po merren hapa për të verifikuar gjetjet dhe për të eliminuar mundësinë e një gabimi teknik.

Zyrtarët rusë nuk kanë komentuar këto zhvillime.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha në platformën X se ka biseduar me Presidentin polak për “incidentin me raketë” dhe se NATO ishte vigjilente dhe po vëzhgonte situatën “ndërkohë që përcaktohen faktet.”

Ende nuk është e qartë se ku u zhduk objekti nga radari ose në çfarë drejtimi po shkonte. Trupat ushtarake janë mobilizuar për ta identifikuar dhe gjetur. Për momentin nuk ka raporte për ndonjë shpërthim apo të lënduar.

Guvernatori i krahinës së Lublinit në pjesën lindore të Polonisë Krzysztof Komorski deklaroi për portalin mediatik “Onet” se objekti u paraqit në radarë në afërsi të qytetit Hrubieszow, ku gjendet një kalim kufitar me Ukrainën. Ai tha se nuk kishte informacion se raketa kishte rënë në krahinën e Lublinit.

Kufiri i Polonisë me Ukrainën është gjithashtu kufiri i Bashkimit Evropian dhe NATO-s me Ukrainën.

Kryeministri Donald Tusk mbajti takim me ministrin e mbrojtjes, komandantët ushtarakë dhe krerët e agjencive kombëtare të sigurisë. Presidenti Andrzej Duda si komandant suprem i forcave të armatosura të Polonisë po ashtu mblodhi Byronë e Sigurisë Kombëtare.

Presidenti Duda, përmes një këshilltareje të tij, tha se “për momentin nuk kishte kërcënim” dhe asgjë që do të sugjeronte se duhej pritur “ndonjë gjë të keqe.”

“Më e rëndësishme është që askush nuk është lënduar,” deklaroi Grazyna Ignaczak-Bandych.

Zyrtarët ukrainas të premten njoftuan se Rusia ka sulmuar gjatë natës pika të ndryshme në Ukrainë me mbi 100 raketa dhe dhjetëra dronë, në një sulm që zyrtarët e quajtën më të madhin sulm ajror që kur filloi sulmi rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Mbetet e paqartë nëse objekti i raportuar nga Polonia ishte pjesë e këtij sulmi ndaj Ukrainës.

“Kjo mund të ndodhë si rezultat i sulmeve të tilla të shumta. Armiku po sulmon territoret tona kufitare, përfshirë ato në pjesën perëndimore. Ky është edhe një sinjal për partnerët tanë që të përforcojnë mbrojtjen ajrore ukrainase,” deklaroi zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës Yurii Ihnat në televizionin kombëtar duke iu referuar incidentit.

Polonia po përkrah Ukrainën me ndihma ushtarake, humanitare dhe politike.

Kjo nuk është hera e parë që një objekt i paautorizuar hyn në hapësirën ajrore të Polonisë nga drejtimi i Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus. Në nëntor të vitit 2022, dy persona ishin vrarë kur një raketë goditi fshatin Przewodow, disa kilometra nga kufiri. Zyrtarët perëndimorë vlerësuan se bëhej fjalë për një raketë të lëshuar gabimisht të sistemit mbrojtës ajror të Ukrainës.

Gjermania: 300 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur rëndë në Ukrainë

Gjenerali Christian Freuding, një këshilltar i ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se Ukraina po arrin sukses ushtarak dhe se Rusia ka pësuar humbje të mëdha.

“80 përqind e Ukrainës është e lirë. Flota ruse e Detit të Zi është zhvendosur de facto në perëndim,” tha Freuding.

Ai iu referua sulmit të Ukrainës ndaj një anije luftarake ruse, çka ka dobësuar aftësinë e Rusisë për të hedhur raketa nga deti.

Duke iu referuar përllogaritjeve të fundit, gjenerali tha se 300 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose janë plagosur rëndë.

“Këto humbje janë shumë të mëdha,” tha ai.

Gjenerali shtoi se Rusia do dalë nga lufta e dobësuar. Por ai shtoi se Moskës do i duhen të paktën 5 deri në 8 vite që të rindërtojë forcën e saj ushtarake.

Sipas tij, gjatë kësaj kohe, Perëndimi duhet të mendojë se cili do jetë qëndrimi i tij ndaj Moskës.sn

Ushtria polake: Një objekt i paidentifikuar hyri nga Ukraina në territorin tonë

Avionë luftarakë të ushtrisë së Polonisë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Një objekt i paidentifikuar ajror ka hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë – shtet anëtar i NATO-s – nga drejtimi i kufirit me Ukrainën.

Komanda Operacionale e Ushtrisë polake tha se objekti hyri në territorin e Polonisë mëngjesin e 29 dhjetorit.

“Mëngjesin e sotëm, një objekt i paidentifikuar ajror hyri në hapësirën ajrore të Republikës së Polonisë nga kufiri me Ukrainën. Nga momenti që kaloi kufirin deri kur sinjali i tij u zhduk, objekti u vëzhgua nga radarët e sistemit mbrojtës ajror të shtetit”, tha ushtria polake.

Polonia tha se ka mobilizuar forcat ajrore dhe burimet e tjera, në përputhje me situatën.

Media private polake, TV Republika, raportoi se kërkimet për objektin po zhvillohen afër qytetit Hrubieszov, në jug të Polonisë.

Lajmi për këtë objekt ajror vjen pasi Ukraina u sulmua me 158 dronë dhe raketa ruse gjatë natës. Ky ishte sulmi më i madh ajror i kryer nga Rusia, që kur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Moska lëshon 158 raketa kundër qyteteve ukrainase

Rusia ka ndërmarrë sulmin më të madh të vitit. Zelensky premton se do t’ia japër një përgjigje, flet me Papa Françeskun dhe zgjedh WEF të Davosit për planin e tij të paqes

VOAL- Të premten në mëngjes, Rusia nisi një sulm në shkallë të gjerë kundër disa qyteteve në Ukrainë, duke synuar kryeqytetin Kiev dhe grumbullimet e Kharkiv (veri-lindje), Lviv (perëndim), Odessa (jug), por edhe Dnipro, Sumy, Khmelyntsky. Duke pasur parasysh shkallën e bombardimeve, besohet se është vala më intensive dhe e dhunshme e sulmeve me raketa ruse në një vit. Vdekjet e regjistruara deri në orën 9.00 (ora jonë) ishin të paktën nëntë, me dhjetëra të plagosur.

Sipas informacioneve fillestare, një ndërtesë banimi u godit në Lviv dhe u regjistruan dy viktima, shtatë persona u shtruan në spital në Kiev, në Kharkiv dy persona u vranë dhe të paktën shtatë të tjerë u plagosën, ndërsa në Dnipro gjithashtu ka të paktën katër. vdekje dhe lëndime të shumta të shkaktuara nga pushtuesit rusë.

Qyteti i Kharkiv u godit nga të paktën dhjetë sulme në dy valë dhe u raportuan dy viktima, sipas kreut të administratës ushtarake lokale, Oleg Synegubov. Sipas policisë lokale, një spital dhe një rrokaqiell në rrethin Kyivskyi u dëmtuan. Kryetari i bashkisë, Igor Terekhov, tha se sulmet u kryen me raketa S-300 dhe X-22 dhe kishin ndërprerë furnizimin me energji elektrike për transport.

Shpërthime u dëgjuan të premten në mëngjes në Kiev, sipas asaj që u njoftua nga kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko. Zyrtarët në kryeqytetin ukrainas specifikuan më vonë se një zjarr shpërtheu në një ndërtesë banimi dhe në një magazinë për shkak të rënies së mbeturinave nga dronët rusë të rrëzuar nga zjarri anti-ajror. Një person ka mbetur i vrarë nën rrënoja.

Dhe tre civilë u plagosën në një sulm në Konotop, rajoni Sumy, ku u godit një ndërtesë apartamentesh plot me njerëz, sipas administratës ushtarake lokale. Sipas ushtrisë, tre dronë iranian Shahed u shkatërruan.

Më në jug në Odessa, një ndërtesë u dëmtua në një sulm gjatë natës, por zjarri që rezultoi u vu shpejt nën kontroll, tha kryetari i bashkisë së qytetit historik të Detit të Zi, Genadi Trukhanov.

Në Lviv, një metropol i Ukrainës perëndimore në kufirin me Poloninë, homologu i tij Andriy Sadovyi foli për “dy bombardime” në një sulm me “dhjetë Shaheds” në rajon. Zyrtari foli për “një zjarr në një fabrikë të rëndësishme” në Oblast, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Autoritetet ukrainase raportuan gjithashtu shpërthime në rajonin e Dnipropetrovsk, më në lindje; duket se në Dnipro një dron kamikaz shkatërroi një qendër tregtare dhe një objekt të kujdesit shëndetësor, duke shkaktuar viktima dhe lëndime mes njerëzve brenda.

Sipas ushtrisë së Kievit, “raketat e drejtuara” u lëshuan nga bombarduesit strategjikë rusë TU-95MS. Këtë e vërteton edhe fakti se, pak orë më parë, Forcat Ajrore kishin njoftuar ngritjen e nëntë bombarduesve nga një bazë në rajonin veriperëndimor rus të Murmanskut.

Këto sulme vijnë pasi Rusia konfirmoi të martën se një nga anijet e saj ishte dëmtuar në një sulm nga Kievi në Krimenë e aneksuar. Udhëheqësi rus Vladimir Putin u informua nga ministri i tij i Mbrojtjes Sergei Shoigu për “dëmtimin” e anijes së madhe ulëse Novotcherkassk. Nga ana e saj, ushtria ukrainase pretendoi se kishte “shkatërruar” anijen, për të cilën tha se mbante drone Shahed, duke përdorur raketa lundrimi.

Lidhur me valën e bombave të lëshuara nga Kremlini veçanërisht kundër objektivave civile (spitale, stacione metro, shtëpi, qendra tregtare), presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se “gjithsej rreth 110 raketa u lëshuan kundër Ukrainës, duke shkaktuar vdekje dhe lëndime”. Kreu i shtetit saktësoi se “sot Rusia ka përdorur pothuajse çdo lloj arme në arsenalin e saj: Kindzhals, S-300, raketa lundrimi dhe dronë. Bombarduesit strategjikë lëshuan raketat X-101/X-505. Nga 110 raketat e lëshuara nga Rusia, “shumica u rrëzuan” nga mbrojtjet ukrainase.

“Ne do t’i përgjigjemi sulmeve terroriste. Dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë për sigurinë e të gjithë vendit tonë, çdo qyteti dhe çdo qytetari. Terrori rus duhet të humbasë dhe do të humbasë”, tha Zelensky, duke u shprehur ngushëllime atyre që humbën të dashurit në bombardimet.

Zelensky flet me Papa Françeskun dhe shkon në Davos

Zelensky tha se ai diskutoi formulën e paqes të Ukrainës në një telefonatë me Papa Françeskun të enjten. “Ne diskutuam punën tonë të përbashkët për të zbatuar formulën e paqes në Ukrainë”, tha Zelensky në një postim në mediat sociale. Mbi 80 vende janë tashmë të përfshira në këtë proces në nivelin e tyre përfaqësues. Dhe do të ketë të tjerë”, shtoi ai.

Zelensky tha se ai falënderoi Françeskun për urimet e tij për Krishtlindje “dhe për shpresat e tij për një paqe të drejtë për të gjithë ne”. Ai tha gjithashtu se formula e paqes për Ukrainën do të diskutohej së shpejti në Davos, por nuk dha një datë. Forumi Ekonomik Botëror i Davosit (WEF) është planifikuar për 15-19 janar 2024.

Në mesazhin e tij të Krishtlindjes, Papa bëri thirrje për t’i dhënë fund konflikteve të shumta, duke përfshirë atë në Ukrainë. Në nëntor, duke rinovuar thirrjet e tij të përsëritura për t’i dhënë fund dhunës në ish-republikën sovjetike dhe në Lindjen e Mesme, ai deklaroi se “paqja është e mundur” dhe se, absolutisht, “ne nuk duhet të dorëzohemi”.rsi-eb

Giorgia Meloni e sëmurë, mjekët e detyrojnë të qëndrojë në shtrat dhe në errësirë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka shtyrë konferencën e saj të fundvitit për në 4 janar, për shkak të gjendjes jo optimale shëndetësore. Sipas mediave italiane, Meloni ka një problem me ‘otolitet’ që e ka detyruar të qëndrojë e shtrirë në shtrat dhe në errësirë për gati dy ditë.

Mbrëmjen e së mërkurës, Meloni u vizitua në shtëpi nga një mjek ORL, i cili diagnostikoi ‘sindromën otolitike’ dhe kreu manovra për zgjidhjen e situatës.

Fillimisht, sqarojnë bashkëpunëtorët e kryeministrit, mendohej se simptomat si humbje ekuilibri dhe marrje mendsh që iu shfaqën Melonit, ishin ‘pasojë e gripit’.

Kryeministrja prej disa ditësh vuante nga të përzierat dhe marrje mendsh, duke bërë që të dyshohej edhe për veshin e mesit.

Në përfundim të vizitës, specialisti i ORL konstatoi se diagnoza për Melonin ishte ‘vertigo beninje paroksizmale pozicionale’.

‘Tashmë sot në mëngjes, pas manovrës dhe me kollaren që pengonte lëvizjet e befasishme, ajo u ngrit dhe po përmirësohet. Do të duhen edhe disa ditë si masë paraprake’, tha mjeku.

Por çfarë janë otolitet?

Ato kryejnë një funksion të rëndësishëm në veshin e brendshëm që është rregullimi i ekuilibrit të trupit. Otolitet janë grimca të vogla, të përbëra nga oksalati dhe karbonati i kalciumit, të zhytura në një substancë xhelatinoze që mbulon organet otolitike të sistemit vestibular: utrikula dhe sakula.

Otolitet, duke qenë më të dendura se xheli që i rrethon, lëvizin në bazë të pozicionit dhe lëvizjes së kokës, duke stimuluar qelizat e qimeve shqisore të veshit. Këto, nga ana tjetër, transmetojnë sinjale në tru që tregojnë ndryshime në përshpejtimin e trupit në hapësirë.

Në disa rrethana, otolitet mund të shkëputen nga matrica xhelatinoze dhe të migrojnë në kanalet gjysmërrethore, të cilat janë përgjegjëse për perceptimin e rrotullimit të kokës. Në këtë mënyrë, kanalet gjysmërrethore marrin informacion të pasaktë dhe bëhen tepër të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në pozicionin e kokës që normalisht nuk do të kishin asnjë efekt. Kjo situatë shkakton vertigo beninje pozicionale paroksizmale, e cila manifestohet me episode të shkurtra por intensive marramendjeje.sn

Në 100 vjetorin e vdekjes së krijuesit të saj, mbyllet Kulla Eiffel pasi stafi hyn në grevë

Një grua me biçikletë kalon, teksa në prapavijë shihet Kulla Eiffel. 22 nëntor 2023.

Kulla Eiffel, një prej atraksioneve më të mëdha turistike në botë, u mbyll për publikun më 27 dhjetor, pasi stafi hyri në grevë, njoftoi operatori i Kullës.

Greva përkon me 100-vjetorin e vdekjes së inxhinierit, Gustave Eiffel, që ndërtoi Kullën. Stafi po proteston lidhur “me mënyrën se si po menaxhohet aktualisht” kulla, tha shoqata CGT përmes një deklarate.

Operatori i Kullës, SETE, tha se kjo situatës “është nisur drejt katastrofës”.

Shoqata CGT tha se menaxhmenti po e menaxhon Kullën Eiffel sipas një modeli biznesor që është “shumë ambicioz dh i paqëndrueshëm” dhe që bazohet në një vlerësim të fryrë të numrit të vizitorëve të ardhshëm dhe në të njëjtën kohë nënvlerëson kostot e ndërtimit.

SETE u kërkoi falje vizitorëve, duke i këshilluar të gjithë ata që kishin blerë bileta elektronike për të vizituar Kullën të mërkurën që të shikojnë emailet e tyre për më shumë informacione mbi rezervimin e tyre.

Kulla e Eiffelit – ndërtesa më e famshme e Parisit – tërheq pothuajse 7 milionë vizitorë në vit, rreth tre e katërta e të cilëve janë të huaj, thuhet në ueb-faqen e Kullës.

Gjatë pandemisë së koronavirusit, numri i vizitorëve ra për shkak të mbylljeve dhe kufizimeve të udhëtimit, por shifrat e vizitorëve u rritën në 5.9 milionë më 2022.

Shoqata CGT tha se menaxhmenti i Kullës po e bazon të ardhmen e tij në buxhetin prej 7.4 milionë vizitorësh në vit, “dhe pse ky nivel vizitorësh nuk është arritur kurrë”.

Inxhinieri i Kullës, Gustave Eiffel, vdiq më 27 dhjetor 1923, në moshën 91-vjeçare.rel

 

Shuhet legjenda e politikës gjermane, ndërron jetë Wolfgang Schaeuble

Nga Tanja May, BILD

Ai ishte një nga më të mëdhenjtë e politikës gjermane!

Wolfgang Schaeuble ka ndërruar jetë. Legjenda e CDU ndërroi jetë të martën në mbrëmje në moshën 81-vjeçare.

BILD mësoi nga njerëz pranë familjes se ai vdiq paqësisht në gjmë.

Politikani i CDU, që ishte pjesë e Bundestagut prej më shumë se 50 vitesh, lë pas gruan Ingeborg, katër fëmijë dhe katër nipa.

Schaeuble i ka dhënë formës politikës gjermane si asnjë politikan tjetër.

Në vitin 1972, ai u fut në Bundestag për herë të parë për CDU. Suksesin e tij të madh ai e pati në vitet 1990. Si Ministër i Brendshëm i qeverisë së Helmut Kohl, ai negocio traktatin e bashkimit me Gjermaninë Lindore.

Ribashkimi i Gjermanisë mban firmën e tij.

Por ai vuajti një goditje shumë të rëndë më 18 tetor të vitit 1990. Një person i sëmurë mendor e qëlloi politikanin e CDU gjatë një mitingu elektoral. Prej atëherë, ai ka qenë i paralizuar dhe përdorte karrige me rrota.

Por politikani i CDU nuk u zmbraps dhe arriti të bëhej numri dy i shtetit gjerman. Schaeuble u zgjodh President i Bundestagut nga viti 2017 deri në vitin 2021.

Së fundmi, gjërat ishin qetësuar për politikanin. Ai ishte tërhequr dhe pasi gruaja e tij u sëmur rëndë gjatë kësaj vere, ai kërkonte të kalonte më shumë kohë me familjen.

Gërvalla merr pjesë në kremtimet e Krishtlindjes në Vatikan

Me ftesë nga Selia e Shenjtë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, mori pjesë në meshën e Krishtlindjes, që u mbajt të dielën mbrëma në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan dhe në kremten ku Papa Françesku dha mesazhin e tij vjetor të Krishtlindjes “Urbi et Orbi”, që u mbajt sot në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Nga Selia e Shenjtë në Vatikan, Ministrja Gërvalla ka uruar të gjithë besimtarët katolik, duke i dëshiruar paqe dhe dashuri.

“Për shumë mot Gëzuar Krishtlindjet nga Basilika e Shën Pjetrit në Vatikan, ku me ftesë të Selisë së Shenjtë morëm pjesë në meshën në vigjilje të Festës së Krishtlindjes. Paqja dhe dashuria mbretërofshin në vendin tonë dhe të gjitha vatrat tona”, tha Ministrja Gërvalla, duke theksuar se ndihet e nderuar, e prekur dhe krenare që ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në kremtimet e Krishtlindjes në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Në mesazhin e tij tradicional të Krishtlindjes në bekimin e mesditës “Urbi et Orbi” në Ditën e Krishtlindjes, Papa Françesku, bëri thirrje që Krishtlindja të sjellë paqe në gjithë botën dhe ta kthejë pikëllimin në gëzim dhe gjithashtu të ndalet dhuna dhe të ndihmohen të gjithë ata që vuajnë.sn

DASH-i i kërkon Serbisë bashkëpunim me OSBE-ne për rezultatin e zgjedhjeve

Foto nga zgjedhjet e fundit në Serbi, më 17 dhjetor 2023.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) u bëri thirrje autoriteteve në Serbi që të bashkëpunojnë me misionin e OSBE-së në hetimin e pretendimeve për parregullsi zgjedhore, transmeton Zëri i Amerikës.

Siç theksoi Departamenti i Shtetit, dhuna ndaj gazetarëve, vëzhguesve dhe zyrtarëve zgjedhorë është “e papranueshme”, si dhe se legjitimiteti i proceseve demokratike varet nga transparenca dhe vullneti i të gjithë pjesëmarrësve për ta pranuar rezultatin e zgjedhjeve.

“Ne jemi të fokusuar, në bashkëpunimin me Serbinë, për forcimin e qeverisë demokratike dhe sundimin e ligjit, përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, vazhdimin e rritjes ekonomike dhe përshpejtimin e përparimit të Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. E ardhmja e Serbisë qëndron në Perëndim”, thuhet në përgjigjen e DASH-it ndaj pyetjeve të Zërit të Amerikës lidhur me protestat e reja në Beograd.

Në njoftim thuhet se konstatimet shqetësuese të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) se zgjedhjet u dëmtuan nga gabime të shumta procedurale, presion ndaj zyrtarëve publikë dhe abuzim me burimet publike, dhe se, këta faktorë, së bashku me avantazhet sistematike të partive në pushtet, krijuan kushte të padrejta.

“Shtetet e Bashkuara i kërkojnë Serbisë që të punojë ngushtë me OSBE-në për t’i adresuar këto shqetësime”, shkruan ata, duke shtuar se pretendimet për parregullsi, të raportuara nga ODIHR-ja dhe ekipe të tjera vëzhguese të zgjedhjeve, duhet të hetohen.

Opozita ka protestuar që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, duke akuzuar Partinë Progresive Serbe (SNS) në pushtet për vjedhje zgjedhore, duke përfshirë regjistrimin e votuesve fiktivë nga Serbia dhe jashtë vendit.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RKZ) njoftoi më 24 dhjetor se ka kontrolluar listat zgjedhore dhe shtoi se pretendimet e koalicionit “Serbia kundër dhunës” se numri i votuesve me të drejtë vote në zgjedhjet e Beogradit është rritur artificialisht për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve “nuk janë të vërteta”.

Në të njëjtën ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se votimi u zhvillua në një atmosferë demokratike dhe se ishin zgjedhjet “më të qeta ndonjëherë në historinë moderne”.

ODIHR-ja më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të rënda, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik të presidentit Vuçiq, fushatë negative dhe përhapje frike.

Një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor.

Qytetarët serbë votuan më 17 dhjetor në zgjedhjet parlamentare, provinciale dhe lokale në 65 qytete dhe komuna, përfshirë Beogradin. SNS-ja shpalli fitoren në të gjitha nivelet.rel

Holanda do t’ia japë Ukrainës 18 avionë luftarakë F-16

Avionët F-16 të Forcës Ajrore të Holandës duke fluturuar gjatë një demonstrimi, më 4 korrik, 2023.

Holanda do t’ia dërgojë Ukrainës 18 avionë luftarakë F-16, për t’i ndihmuar në betejën kundër pushtimit rus, ka njoftuar qeveria holandeze, të premten.

“Sot kam informuar presidentin [e Ukrainës, Volodymyr] Zelensky për vendimin e qeverisë sonë për të përgatitur 18 avionët e parë luftarakë F-16 për dërgim në Ukrainë”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryeministrit, Mark Rutte, nëpërmjet një shkrimi në platformën sociale X, e njohur më parë si Twitter.

“Dërgimi i F-16-shave është një ndër elementet më të rëndësishme të marrëveshjeve të arritura për mbështetje ushtarake për Ukrainën”, është shprehur ai.

Dërgimi i avionëve luftarakë ende varet nga aprovimi për eksportim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës, dhe nga përmbushja e kritereve për stafin dhe infrastrukturën në Ukrainë, ka shtuar Rutte, pa përmendur afate për këto vendime, raporton Reuters.

Por, njoftimi i ndihmës ka bërë të mundshëm rezervimin e fondeve dhe njerëzve për përgatitjen e avionëve për dërgim, ka thënë qeveria holandeze.

“Kam folur me Mark Rutten për ta falënderuar qeverinë holandeze për vendimin e saj për të filluar përgatitjen e 18 avionëve të parë F-16 për dërgim në Ukrainë”, ka thënë presidenti ukrainas, Zelensky, në X.

Holanda ka dërguar F-16-shin e parë, prodhim amerikan, në një qendër të re trajnimi për pilotët dhe stafin ukrainas, në Rumani, muajin e kaluar.

Danimarka, Norvegjia dhe Belgjika, po ashtu, kanë njoftuar se do t’i japin Ukrainës avionë F-16, pasi qeveria e Shteteve të Bashkuara ka aprovuar dërgimin e tyre që Kievi të mbrohet kundër Moskës, sapo të jetë përfunduar trajnimi i pilotëve.

Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.rel

Në prag Krishtlindjesh, Çekia në zi

Pragë, 22 dhjetor 2023.

Valona Tela

Të shtënat masive shkundën pasditen e 21 dhjetorit njërin nga vendet më të sigurta në botë.

Me katërmbëdhjetë njerëz të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur, Praga e Çekisë u bë kryelajm.

“Kemi menduar gjithmonë se kjo është një gjë që nuk na shqetëson neve”, tha kryetari i kryeqytetit me 1.3 milion banorë, Bohuslav Svoboda.

“Tani duket se, për fat të keq, edhe bota jonë po ndryshon”, tha ai.

Fakulteti i Arteve i Universitetit të Karlit, ku sulmuesi qëlloi me breshëri plumbash, gjendet në zemër të Pragës historike – vetëm pak minuta në këmbë nga sheshi i Qytetit të Vjetër në njërën anë dhe nga Ura ikonë e Karlit në anën tjetër.

Zona është një atraksion i madh turistik, me mijëra vizitorë që në këtë kohë shijojnë tregjet e njohura të Krishtlindjeve.

Të dyshuarin për vrasje në hapësirat e universitetit, policia çeke e identifikoi si 24 vjeç, vetë student në Fakultetin e Arteve, dhe tha se ai u “eliminua”.

Sipas shefit të policisë, Martin Vondrashek, sulmuesi kishte leje armësh dhe posedonte disa të tilla.

Rregullorja e armëve në Çeki

Çekia, vend me 10.5 milionë banorë, ka ligje relativisht liberale për armët, në krahasim me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian. Për të siguruar armë në mënyrë të ligjshme, personi ka nevojë për licencë zyrtare, e cila duhet të përcillet me një ekzaminim mjekësor, provim të aftësisë për armë dhe të kaluar të pastër penale.

Sipas statistikave zyrtare të policisë, më shumë se 300.000 njerëz kanë leje të ligjshme për të mbajtur armë.

Motivi për të shtënat vdekjeprurëse në Fakultetin e Arteve nuk është ende i qartë. Policia tha se ka informacione të pakonfirmuara se i dyshuari – i identifikuar nga mediat si David K. – është frymëzuar nga një incident i ngjashëm në Rusi, por nuk dha detaje të tjera.

Ajo që dihet është se sulmi ishte më fatali në historinë moderne të Çekisë.

Në dhjetor të vitit 2019, një sulm me armë në një spital të qytetit të Ostravës la të vrarë gjashtë veta, përpara se sulmuesi ta kthente armën kundër vetes. Ndërsa, në shkurt të 2015-ës, një person hapi zjarr në një restorant në qytetin Uherski Brod, ku u vranë teta veta.

Të shtënat në një kampus universiteti në Çeki ishin të padëgjuara deri më tash.

Pamje njerëzish që hidheshin nga një parvaz i jashtëm i ndërtesës disa kate lart, për të shpëtuar nga sulmi, do të mbeten gjatë në kujtesën çeke.

Të tjerë që kacavareshin në dritare, po ashtu.

“Një tragjedi, të cilën e zmadhon edhe fakti që ndodhi në një shkollë kushtuar filozofisë dhe diskutimit paqësor”, tha në një prononcim të shkurtër për Radion Evropa e Lirë Tomas Klvana, themelues i Institutit Aspen në Pragë.

Autoritetet shpallën të shtunën e 23 dhjetorit ditë zie në Çeki. Me flamujt që do të ulen në gjysmështizë dhe kambanat që do të bien në të gjithë vendin, do të nderohen dhe do të kujtohen të 14 të vrarët.

Sipas Indeksit Global të Paqes, që Instituti për Ekonomi dhe Paqe nxjerr çdo vit, Çekia është ndër vendet më të sigurta në botë.

listën prej 163 vendesh të publikuar këtë vit, ajo është e 12-ta në botë dhe e 8-ta në Evropë.

Pikat më të forta të vendit janë komunitetet e sigurta, shkalla e ulët e krimit dhe ndikimi i ulët i terrorizmit.

Ca pyetje për sulmin e 21 dhjetorit në Pragë, megjithatë, do të duhet të marrin përgjigje, shkruan disa media çeke.

Zyrtarët policorë dhe të pranishmit tjerë në vendin e ngjarjes vepruan me profesionalizëm, shkroi Seznam, porse ndërhyrja e tillë ngre edhe pyetjet e natyrshme: a ka mundur të bëhet më mirë, më shpejt dhe më me efikasitet? Po ashtu, si ka mundur të futet në ndërtesën e universitetit “arsenali i madh i armëve” që përmendi shefi i policisë, shkroi gazeta online çeke.

Por, menjëherë pas sulmit, ngushëllimet dhe thirrjet për solidaritet që bënë si qytetarët e rëndomtë në rrjetet sociale, ashtu edhe udhëheqësit politikë, qoftë në pushtet, apo opozitë, janë vlerat që kanë më së shumti kuptim tash për tash.

Raportohet për të vdekur pas një sulmi në një universitet në Pragë, sulmuesi eliminohet

Policia në Pragë të Republikës Çeke, ka thënë se ka persona të vrarë dhe të plagosur, si pasojë e një sulmi me armë zjarri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Karlit.

Mediat çeke po raportojnë për 10 persona të vrarë dhe për nëntë të plagosur rëndë.

Policia ka thënë se sulmuesi është eliminuar dhe e gjithë ndërtesa është duke u evakuuar.

Ministri i Brendshëm çek Vit Rakushan, ka thënë për mediat çeke se ka të vdekur, por se nuk mund të spekulojë për shifrën përfundimtare.

Disa studentë kanë treguar në platformën X – të njohur më parë si Twitter, se kanë mbyllur dyert me mjete të ndryshme për të parandaluar sulmuesin.

Një email që i është dërguar stafit të universitetit, që e ka parë agjencia e lajmeve Reuters, ka paralajmëruar personelin për të shtënat.

“Qëndroni në vend, mos shkoni askund nëse jeni nëpër zyra, mbyllni dyert me orendi dhe ndalni dritat”.

Policia u ka kërkuar banorëve të Pragës që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Autoritetet e kanë mbyllur gjithë sheshin Jan Palah, ku është ndërtesa e fakultetit, dhe zonën përreth.

Kryeministri çek Petr Fiala, ka thënë se do të anulojë të gjitha planet, pas “ngjarjes tragjike”.

Ambasada e Kosovës në Çeki, u ka kërkuar të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë në Pragë, që t’i ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Ambasada ka thënë se të gjithë qytetarët mund të kërkojnë ndihmë konsullore në +420 257 217 775.

Universiteti i Karlit është në qendër të Pragës, rreth 500 metra prej Urës historike të Karlit – atraksioni kryesor për turistët.

Krimet me armë janë të rralla në Republikën Çeke.

Në dhjetor të vitit 2019, një 42-vjeçar ka vrarë gjashtë persona në një qendër pritjeje në spital, në qytetin lindor Ostravë, para se të kryente vetëvrasje.rel

Luftë në Ballkan? Deklarata e fortë e kreut të ushtrisë belge: Europa duhet të përgatitet urgjentisht

Përfshirja e drejtpërdrejtë e Belgjikës, anëtare e NATO-s, në një luftë është diçka që duket surreale. E megjithatë, gjatë një vizite te ushtarët belgë të dislokuar në Rumani, shefi belg i mbrojtjes, Michel Hofman paralajmëroi për rrezikun e mundshëm të konfliktit me Rusinë.

“Është një skenar i frikshëm. Një luftë në shkallë të plotë me Rusinë, duke përfshirë hapur Belgjikën, është diçka që dukej e paimagjinueshme përpara pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putini”, tha ai.

 

Sot, sipas Michel Hofman, kreut të Mbrojtjes së Belgjikës, “ne kemi arsye për t’u shqetësuar”.

“Rusët kanë demonstruar tashmë gatishmërinë e tyre për ta sulmuar një fqinj”, deklaroi ai për mediumin VRT.

Ideja e një Belgjike në luftë nuk duket më aq e largët, shkruan La Dernière Heure. Michel Hofman saktëson se Belgjika do të duhet të veprojë brenda kuadrit të forcave të NATO-s dhe të kontribuojë në parandalimin e besueshëm në rast të sulmeve ndaj një anëtari të Aleancës.

Shefi belg i Mbrojtjes nuk e përjashton asnjë skenar dhe madje deklaron: Europa duhet të përgatitet urgjentisht. Ata që aspirojnë paqen do të bënin mirë të përgatiteshin për luftë.bw

Shpërthim i fuqishëm vullkanik në Islandë

VOA/Marrë nga Associated Press

Një shpërthim vullkanik nisi të hënën mbrëma në gadishullin Reykjanes të Islandës, duke ngritur në gjendje të lartë gatishmërie mbrojtjen civile e vendit.

Shpërthimi duket se ka ndodhur rreth katër kilometra nga qyteti i Grindavikut, tha Zyra Meteorologjike Islandeze.

“Rrjedha e magmës duket të jetë të paktën njëqind metra kub në sekondë, ndoshta më shumë. Pra, ky do të konsiderohej një shpërthim i madh të paktën në këtë zonë”, tha Vidir Reynisson, kreu i Mbrojtjes Civile dhe Menaxhimit të Emergjencave të Islandës për transmetuesin publik islandez, RUV.

Në nëntor, policia evakuoi qytetin e Grindavikut pasi aktiviteti i fortë sizmik në zonë dëmtoi shtëpitë dhe ngriti frikën e një shpërthimi të afërt vullkanik.

Islanda ndodhet mbi një pikë të nxehtë vullkanike në Atlantikun e Veriut dhe mesatarisht përballet me një shpërthim vullkanik në katër deri në pesë vjet. Më shqetësuesi në kohët e fundit ishte shpërthimi i vullkanit Eyjafjallajokull në vitin 2010, i cili ngriti shtëllunga të dendura tymi dhe hiri në atmosferë, duke ndalur fluturimet në Evropë për ditë të tëra për shkak të frikës se hiri mund të dëmtonte motorët e aeroplanëve.

Shkencëtarët thonë se një shpërthim i ri ka të ngjarë të prodhojë lavë, por jo re hiri.

Grindavik, një qytet peshkimi me 3400 banorë, ndodhet në gadishullin Reykjanes, rreth 50 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të vendit, Reykjavik dhe jo shumë larg aeroportit Keflavik, i vetmi aeroport ndërkombëtar në Islandë.

Gjermania për zgjedhjet në Serbi: Parregullsi të papranueshme për një vend kandidat të BE-së

Një grua duke votuar në zgjedhjet e mbajtura në Serbi, më 19 dhjetor.

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, ka thënë se parregullsitë në zgjedhjet në Serbi, të raportuara nga misionet vëzhguese ndërkombëtare, janë “të papranueshme”, për një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Serbia ka votuar, por Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) kanë raportuar për abuzime të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave. Kjo është e papranueshme për një shtet që e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim”, ka thënë Ministria gjermane përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut, ka thënë se zgjedhjet në Serbi janë përcjellë me parregullsi serioze, keqpërdorim të fondeve publike, dominim medial të presidentit të shtetit, Aleksandar Vuçiq, fushata negative dhe përhapje të frikës.

Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe misioni i OSBE-së, kanë qenë pjesë e misioneve vëzhguese të zgjedhjeve në Serbi.

“Këto janë probleme serioze që institucionet duhet t’i adresojnë dhe hetojnë seriozisht, në mënyrë që të krijohen kushte për zgjedhje të drejta dhe demokraci më të fortë në Serbi, në të ardhmen”, ka thënë OSBE-ja, në një konferencë për media, të mbajtur më 18 dhjetor.

Sa u përket parregullsive në ditën e zgjedhjeve, ODIHR ka thënë se janë vërejtur votime në grup dhe shkelje të privatësisë së votës.

“Ne kemi parë parregullsi serioze, përfshirë blerje të votës”, kanë thënë përfaqësuesit e vëzhguesve ndërkombëtarë, më 18 dhjetor.

Dyshimeve për parregullsi në zgjedhje u ka bërë jehonë edhe një pjesë e opozitës.

Partitë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, kanë thënë se në zgjedhjet lokale në Beograd ka pasur shumë parregullsi, dhe se rezultatet nuk e reflektojnë vullnetin e qytetarëve.

Me ftesë të tyre, disa banorë të Beogradit kanë marrë pjesë në një protestë, më 18 dhjetor, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve në kryeqytetin serb.

Partia Përparimtare Serbe (SNS) e presidentit Vuçiq, i ka hedhur poshtë akuzat për rezultati ndryshe prej vullnetit të qytetarëve, dhe parregullsi tjera.

Disa misione vëzhgimi vendore në Serbi, kanë hedhur dyshime edhe për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, duke thënë se janë regjistruar shkelje drastike.

Më 17 dhjetor, Serbia i ka organizuar zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore.

Partia e Vuçiqit, SNS, ka shpallur fitore në të gjitha nivelet.rel

Deputeti gjerman: T’i hiqen masat ndëshkuese Kosovës, të dalin rezultatet e hetimeve për sulmin në Banjskë

Deputeti konservator gjerman nga radhët e CDU-së, Knut Abraham, thotë se ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Ai ka kërkuar që sa më shpejt të dalin rezultatet e hetimeve për ngjarjen në Banjskë.

Abraham e sheh Serbinë si faktor destabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai thotë Serbia nuk po e respekton marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Kosovën.

Deputeti gjerman konsideron se dialogu mund të dështojë tërësisht nëse vazhdohet me qasjen e njëjtë.

Sipas tij, ka ardhur koha që të ketë ndëshkime serioze për palën që nuk është e gatshme për dialog.

“Siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë prioritet mbi prioritetet, sidomos në këtë periudhë kohore. Shtimi i trupave te NATO-s në rajon është gjithmonë një opsion sepse sjell më shumë siguri. Problemi kryesor qëndron tek Serbia, e cila nuk po tregon gatishmëri t’i zbatojë marrëveshjeve të cilat i ka marrë përsipër. Sa kohë që Serbia vepron në këtë mënyrë nuk mund të ketë siguri. Nëse nuk respektohet marrëveshje atëherë nënkupton që dialogu me të vërtetë ka dështuar. Besoj se ka ardhur koha që nëse njëra palë nuk i respekton marrëveshjet atëherë duhet të ketë ndëshkime serioze”, ka thënë Abraham për tëvë1.

Deputeti konservator, po kërkon që sa më shpejtë të publikohen rezultatet e investigimeve ndërkombëtare për ngjarjen në Banjskë.

“Skenarë të rrezikshëm si ai në Banjskë mund të përsëriten derisa politikanët në Serbi nuk e pranojnë ekzistencën e Kosovës. Nëse vazhdon kjo frymë në Serbi, radikalizmi nuk do të largohet, sepse ata do ta justifikojnë dhunën. Duhet që sa ma parë të dalin rezultatet e investigimeve për rastin në Banjskë. Duhet të kuptojmë në detaje se si ndodhi ajo ngjarje në veriun e Kosovës, situata me të vërtetë ishte shumë serioze”, deklaroi Abraham.

Tutje, politikani gjerman konsideron se masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë të pa arsyeshme, dhe kështu i ka bërë thirrje bllokut evropian që t’i heq ato.

Për më tepër ai ka kërkuar vëmendje më e madhe t’i kushtohet Beogradit, për shkak të deklaratave te krerëve serbë, që thonë se nuk do ta respektojnë marrëveshjen e Brukselit.

“Ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, sepse nuk janë të arsyeshme më. Vëmendja duhet të jetë tek ata të cilët haptazi thonë se nuk do ta respektojmë marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Kosovën. Bashkimi Evropian duhet të jetë më i hapur me Kosovën, dhe t’i hapë rrugë një procesi më të shpejtë integrues”, u shpreh deputeti gjerman.

Më datën 28 qershor të këtij viti Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës si pasojë e tensioneve në veriun e Kosovës.sn


Send this to a friend