Një kamion ka marrë përpara turmën gjatë festimit të Ditës së Bastijës në jug të Francës. Ngjarja ka ndodhur në Nice gjatë hedhjes së fishekëzjarreve.
Policia raporton se në kamion kishte lëndë të konsiderueshme eksplozivi, ndërkohë që në përplasje e sipër, raportohet se është ekzekutuar kamionisti.
Ora 14:30
Burime zyrtare nga Franca kanë nxjerë edhe kombësitë e viktimave të sulmit në Nicë. Kështu, veç francezëve, ka patur mes viktimave edhe persona me kombësi të tjera:
-Tre prej viktimave janë gjermanë, një mësuese dhe dy nxënëse gjimnazi.
-Dy janë amerikanë, baba e bir që kishin shkuar në Nicë të festonin ditëlindje;
-Një zviceran konfirmohet nga ministri i Jashtëm i këtij vendi.
-Një rus ka mbetur i vdekur në sulmin terrorist.
-Një armen gjithashtu raportohet i vdekur në sulm.
-Dhe një ukrainas është konfirmuar nga ministri i Jashtëm ukrainas.
Ora 14:00
Alarm për bombë në Aeroportin e Nicës. Policia ka shkuar në vendngjarje pasi është raportuar një pako e dyshimtë. I gjithë aeroporti është evakuuar menjëherë.
Ora 13:30
Sulmi terrorist në Nicë ditën e djeshme ka shkaktuar deri më tani 84 viktima dhe qindra të plagosur.
Një franko-tunizian, Mohamed Bouhlel goditi turmën që festonte Festën e Bastisë me kamion duke shkaktuar një tmerr dhe kasaphanë.
Nga kasaphana vijnë dëshmi rrëqethëse të atyre që i mbijetuan sulmit.
“I kam lëshuar dorën nënës sime për një moment dhe e humba përgjithmonë”, thotë ajo.
Një dëshmitare tjetër e tmerruar tregon se vetëm dëgjonte të qara fëmijësh pafund. “Nuk dija çfarë të bëja, ngado që rrotullohesha shikoja vetëm trupa të përgjakur”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.
Ndërkohë, një tjetër dëshmitar, me origjinë egjiptiane tregon përballjen me autorin. “Ai po ecte ngadalë dhe kishtë nën rrota shumë trupa njerëzish”, thotë ai.
“Nuk po e kuptoja se çfarë po bënte. I dola i hutuar para dhe ia bëja me shenjë që të ndalonte. Por ai ishte krejt i pashqetësuar dhe vazhdoi rrugën.
Në një moment futi dorën poshtë dhe mendova se do të nxirrte një telefon. Por në fakt ai nxori armën dhe unë u largova menjëherë”, tregon ai.
Një tjetër dëshmi vjen nga një infermiere, e cila ishte duke konsumuar darkë kur e lajmëruan për sulmin. “Në fillim menduam se ishte një alarm fals.
Më pas e kuptova që gjithçka ishte e vërtetë dhe ajo që pash ishte një skenë lufte. Britma njerëzish, gjak kudo, njerëz të shqyer dhe të ndarë copash. Ishte një tmerr i vërtetë. Por në këto raste të vështira zoti të bën të fortë”, thotë ajo.
Ora 13:00
Është publikuar videoja e ekzekutimit të kamionistit frankotunizian, Mohamed Bouhlel, i cili shtypi për vdekje 84 persona në festën e Bastisë në Nicë.
Në video shfaqet momenti kur dy policët, një femër dhe një mashkull, arrijnë kamionin dhe qëllojnë mbi terroristin, duke ndaluar më tej tragjedinë.
Në video gjithashtu dëgjohet edhe Bouhlel që bërtet pasi merr plumba në trup. Policia thotë se terroristi jetonte në Nicë.
Ai ishte i martuar edhe me tre fëmijë. Bouhlel rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, por nuk ka patur prova për lidhje të tij me terrorizmin.
Ora 12:30
Mediat franceze kanë rindërtuar skenën e sulmit në Nicë, që u mori jetën 84 personave dhe plagosi mbi 100 të tjerë. Kështu, sipas videos 3 D, kamioni i autorit të sulmit, Mohamed Bouhlel erdhi nga pjesa jugore e qytetit, dhe zbriti në rrugën buzë detit.
Ora 12:OO
Eshtë zbuluar emri i autorit të sulmit terrorist në Francë. Ai është Muhamed Bouhlel, i martuar dhe baba i tre fëmijëve.
Ora 11:32
Policia franceze ka bastisur ditën e sotme në mëngjes shtëpinë e tij, për të zbuluar për lidhje të mundshme me terroristët apo edhe për bashkëpunëtorë.
Ora 11:00
Autoritetet franceze kanë identifikuar zyrtarisht autorin e sulmit tragjik në Nicë të Francës, ku humbën jetën 84 persona.
Ai është franko-tuniziani Mohamed Lahouaiej Bouhlel. Sipas mediave franceze, autori që u vra nga Policia është i moshës 31-vjeçare.
Ora 10:29
Mes viktimave të sulmit terrorist në Nicë janë edhe 10 fëmijë. Ky është lajmi zyrtar që vjen nga kryebashkiaku i qytetit ku ndodhi sulmi.
Ora 10:15
Policia franceze thotë se ka identifikua formalisht autorin e sulmit. Drejtuesi i kamionit është 31-vjeçari franko-tunizian. Ai përputhet me dokumentacionin e kamionit që drejtonte.
Ora 10:00
Presidenti Holond konfirmoi se gjendja e jashtëzakonshme do të vazhdojë edhe me tre muaj të tjera.
Ora 09:30
Janë rreth 50 fëmijë që janë shtruar në spitalet e Nisës pas masakrës së djeshme. Disa janë të lënduar dhe disa të tjerë të shokuar.
Ora 9:00
Eshtë zbuluar edhe dokumentacioni i plotë i kamionit. Ai rezulton se është blerë vetëm disa ditë më parë, dhe është regjistruar në Marsejë.
Ora 07:40
Arrin në 84 numri i viktimave nga sulmi terrorist në Francë. Mediat e huaja raportojnë se numërohen mbi 100 të plagosur.
Ora: 07:10
Presidenti frances Francois Hollande do të mbledhë në orën 09:00 këshillin e sigurisë, dhe mbrojtjes ne Eliseo. Ai ka deklaruar se gjithë Franca ndodhet në kërcënim dhe për këtë duket se do të zgjatet edhe me tre muaj gjendja e emergjencës.
Ora 00:30
Deri mbreme, “France TV” raporton se sipas prokurorëve numri i të vdekurve ka arritur në 60 persona, ndërsa ushtria është zhvendosur në rrugët e qytetit në përpjekje për të rivendosur qetësi.
Ndërkohë, gazeta “Le Parisien” raporton se policia ka vrarë drejtuesin e kamionit ndërsa është në ndjekje shoqëruesi i tij dhe nuk dihet nëse po mban pengje.
Një video e postuar në Tëitter tregon momentin kur turma largohet për t’i shpëtuar kamionit. Autoritetet lokale u kanë kërkuar njerëzve që të qëndrojnë nëpër shtëpi dhe e kanë quajtur ngjarjen “sulm”.