Autoritetet italiane thanë se ka arritur në 247 numri i personave që humbën jetën nga pasojat e tërmetit të fuqishëm që goditi në orët e hershme të së mërkurës, Italinë qendrore. Mbi 360 veta janë plagosur ndërsa po vazhdojnë përpjekjet për shpëtimin e shumë të tjerëve që mund të kenë mbetur nën rrënoja.
Qendra amerikane e kërkimeve gjeologjike tha se tërmeti me një forcë goditëse prej 6.2 ballësh e kishte epiqendrën rreth 10 kilometra në juglindje të qytezës së Norcias, në zonën e Umbrias.
Tronditjet u ndjenë në një perimetër të madh të rajonit, deri në Romë, që ndodhet 150 kilometra larg.
Tërmeti goditi pak pas orës 3:30 të mëngjezit dhe më pas pati pasgoditje të shumta. Agjencia italiane e Mbrotjes Civile tha se ka dhjetra viktima dhe qindra të plagosur, shumë të tjerë kanë mbetur pa shtëpi, në nevojë për strehim të përkohshëm. Kreu i agjencisë, Fabrizio Curcio, tha se “tërmete me forcë dhe thellësi të tillë goditëse zakonisht shkaktojnë shembjen e ndërtesave dhe për pasojë, vdekje.”
Kryeministri italian Matteo Renzi premtoi se qeveria ka për të ndihmuar dhe do t’u gjendet pranë komuniteteve të prekura nga tërmeti:
“Në momente të vështira Italia e di se ç’duhet bërë. Në momente të tilla, të gjithë italianët shfaqin vlerat e tyre më të mira. Qeveria është e përkushtuar të mos braktisë askënd, asnjë familje, komunitet, apo lagje dhe po ndihmon me të gjitha mjetet për vazhdimin e kërkimeve dhe nxjerrjen nga rrënojat të të mbijetuarve, për t’i rikthyer shpresën këtoj territori të goditur rëndë.”– tha zoti Renzi.
Zonat e goditura më rëndë përfshijnë qytezat Amatriçe dhe Accumoli. Kryetari i Bashkisë së Amatriçes, Sergio Pirozzi, i tha televizionit shtetëror RAI se një pjesë e madhe e kësaj qyteze është shkatërruar.
“I gjithë tavani ra, por nuk më goditi”, – tha banorja e qytetit Maria Gianni.– “Pata fat, sepse e mbrojta kokën me një jastëk; vrava vetëm pak këmbën.”
Punonjësit e shpëtimit punuan deri në të gdhirë për të arritur tek personat e bllokuar nën rrënojat e ndrëtesave të rrëzuara.
“Na nevojiten sharra elektrike me zinxhir dhe gërshërë të mëdha për të prerë shufrat e hekurit, si dhe krike për të lëvizur binarët e rrëzuar: na nevojitet thuajse gjithshka”, – i tha agjencisë Associated Press zyrtari i mbrojtjea së të drejtave të punonjësve, Andrea Gentili.
At Savino D’Amelio, prifti i famullisë në Amatriçe, e quajti situatën ekrijuar “një tragjedi me përmasa të pafund.”
“Shpresojmë që të kemi numrin më të vogël të mundshëm të viktimave dhe që të kemi kurajon e nevojshme për ta përballuar.”- tha at D’Amelio.
Tërmeti i së mërkurës nuk ishte larg qytetit të Lakuilas, që u goti nga tërmeti në vitin 2009 dhe ku mbetën të vrarë të paktën 300 njerëz.
Tërmeti më vdekjeprurës në Itali pati ndodhur në vitin 1908, kur nga pasojat e tij dhe të cunamit të shkaktuar humbën jetën rreth 80 mijë njerëz në rajonet jugore të Kalabrisë dhe Siçilisë.